VOAL

VOAL

Në Kosovë, në këtë jubilé – Nga Elida Buçpapaj dhe Skënder Buçpapaj

March 3, 2018
4 Comments
  • author avatar
    Fritz Radovani 4 years ago Reply

    E lexova per me dijte se cka bahet ne Kosove! Ju falemnderes.

    • author avatar
      Elida Buçpapaj 4 years ago Reply

      Nderimet tona i dashtun dhe i nderumi Fritz.
      Shumë të fala prej nesh!
      Skënderi dhe Elida

Komentet

Leave a Reply to Fritz Radovani Cancel reply

Kryeministri i Kosovës takohet me Këshilltarin për Siguri Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë

VOA

Agresioni rus në Ukrainë dhe qëndrueshmëria e Ballkanit Perëndimor ishin pjesë e diskutimeve në takimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me Këshilltarin për Siguri Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan.

Zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Adrienne Watson, i tha Zërit të Amerikës se gjatë takimit, zoti Sullivan falënderoi kryeministrin Kurti për gatishmërinë e Kosovës për të pritur refugjatët afganë.

“Ata shkëmbyen pikëpamje mbi agresionin ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës, përfshirë ofrimin e ndihmës humanitare nga Kosova për popullin e Ukrainës dhe vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë”, tha ajo duke nënvizuar se gjatë u diskutua edhe për qëndrueshmërinë në Ballkanin Perëndimor.

Këshilltari Sullivan, tha ajo, shprehu mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për bisedimet e lehtësuara nga Bashkimi Evropian për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe nevojën për përparim të mëtejshëm në çështjet thelbësore të pazgjidhura.

Zoti Sullivan, thuhet më tej, mirëpriti planet e Kosovës për të kaluar nga varësia e saj nga qymyri linjit në energji më të pastër dhe për të siguruar furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike.

Ndërkaq qeveria e Kosovës tha në një njoftim se kryeministri Kurti e falënderoi zotin Sullivan për kontributin dhe mbështetjen amerikane për Kosovën dhe për paqen e qëndrueshme, qëndrueshmërinë afatgjatë dhe sigurinë rajonale.

Kryeministri Kurti, thuhet në njoftim, tha se Kosova “është e përgatitur për të thelluar partneritetin e bazuar mbi vlerat e përbashkëta me SHBA-në dhe është e përkushtuar në rrugën e saj të integrimit në Bashkimin Evropian dhe në përfshirjen sa më të shpejtë në Programin e Partneritetit për Paqe, si hap i parë drejt anëtarësimit në NATO”.

Kryeministri Kurti citohet të ketë thënë se dialogu me Serbinë duhet të jetë “parimor që respekton barazinë e palëve në bisedime dhe që në qendër të marrëveshjes ka njohjen e ndërsjellë”.

Finlanda dhe Suedia dorëzuan kërkesat për anëtarësim në NATO

VOA/Marrë nga Associated Press

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha të mërkurën se Finlanda dhe Suedia paraqitën zyrtarisht kërkesën për t’u bashkuar me aleancën më të madhe ushtarake në botë, një lëvizje e nxitur nga shqetësimet e sigurisë për shkak të luftës së Rusisë në Ukrainë.

“Unë mirëpres përzemërsisht kërkesat e Finlandës dhe Suedisë për t’u anëtarësuar në NATO. Ju jeni partnerët tanë më të ngushtë”, tha sekretari Stoltenberg në një konferencë me gazetarë pas marrjes së kërkesave nga ambasadorët e dy vendeve nordike. “Kjo është një ditë e mirë në një moment thelbësor për sigurinë tone”.

Kërkesa tani duhet të shqyrtohet nga 30 vendet anëtare. Procesi pritet të zgjasë rreth dy javë, megjithëse presidenti turk, Recep Tayip Erdogan, ka shprehur rezerva për anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë.

Nëse tejkalohen kundërshtimet e tij dhe bisedimet e pranimit rrjedhin ashtu siç pritet, të dy vendet mund të bëhen anëtarë brenda pak muajsh. Procesi zakonisht zgjat tetë deri në 12 muaj, por NATO-ja dëshiron të lëvizë shpejt duke pasur parasysh kërcënimin rus që qëndron mbi kokat e vendeve nordike.

Kanadaja, ta zëmë, thotë se pret të ratifikojë protokollin e anëtarësimit brenda pak ditësh.

Sekretari Stoltenberg tha se aleatët e NATO-s “janë të vendosur të punojnë për të gjitha çështjet dhe të arrijnë në përfundime të shpejta”.

“Të gjithë aleatët janë dakord për rëndësinë e zgjerimit të NATO-s. Ne të gjithë jemi dakord që duhet të qëndrojmë së bashku dhe të gjithë jemi dakord se ky është një moment historik, që duhet ta shfrytëzojmë,” u tha ai gazetarëve, në selinë e NATO-s në Bruksel.

Opinioni publik në Finlandë dhe Suedi është orientuar masivisht në favor të anëtarësimit, që kur filloi agresioni i Rusisë në Ukrainë më 24 shkurt.

Finlanda dhe Suedia bashkëpunojnë ngushtë me NATO-n. Ata kanë demokraci funksionale, forca të armatosura të mirëfinancuara dhe ndihmojnë operacionet ushtarake të aleancës.

“Ju njohim! 28.7.1922”, zbulohet dokumenti 100-vjeçar i vendosjes së marrëdhënieve SHBA-Shqipëri

Zbulohet dokumenti origjinal i notës diplomatike që SHBA vendoste marrëdhëniet me Shqipërinë. Gazetari dhe moderatori i emisionit “Dekalog” në RTSH 24 Roland Qafoku ka bërë publike mbrëmë ekskluzivisht gjatë këtij emisioni dokumentin zyrtar të vendosjes së këtyre marrëdhënieve. Mban datën 28 korrik 1922, është firmosur nga komisioneri amerikan i rangut ministër Fuqiplotë dhe i Dërguar i Jashtëzakonshëm Maxwell Blake, i cili ia dorëzoi atë ditë kryeministrit të 10-të të shtetit shqiptar Xhaferr Ypi që mbante në të njëjtën kohë edhe detyrën e ministrit të Jashtëm.

Blake kishte marrë pak ditë përpara kësaj date urdhrin nga sekretari i Shtetit Charles Evans Hughes që ti dorëzonte notën diplomatike kryeministrit Ypi dhe e zbatoi ditën e caktuar. Mes të tjerave në notë Maxwell Blake shkruan:

“Kam nderin që në përputhje me udhëzimet e Sekretarit të Shtetit të qeverisë së Shteteve të Bashkuara në Washington, të njoftoj Shkëlqesinë tuaj se qeveria e Shteteve të Bashkuara, duke marrë parasysh mbarëvajtjen e suksesshme të një qeverie kombëtare shqiptare, që sot më 28 korrik 1922, t’ju shpreh njohjen formale të qeverisë në të cilën Shkëlqesia juaj kryeson. Në pritje të veprimeve legjislative nga kongresi i Shteteve të Bashkuara për krijimin e një përfaqësie të rregullt diplomatike, qeveria ime më udhëzon të vazhdoj të veproj si komisioner i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri me gradën Ministër Fuqiplotë dhe i dërguar i jashtëzakonshëm”.

Është pikërisht ky dokument që vërteton dhe konfirmon se data e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA është 28 korriku i vitit 1922. Sipas studimeve që ka bërë gazetari dhe studiuesi Qafoku, rezulton se SHBA u bë shteti i 22-të në botë që njohu Shqipërinë pas Konferencës së Paqes në Paris në vitin 1919. Sipas tij, shteti i parë që njohu Shqipërinë pas kësaj konference ishte Britania e Madhe. bw

Presidenti Biden do të presë udhëheqësit e Suedisë dhe Finlandës në Shtëpinë e Bardhë

VOA/Marrë nga Associated Press

Presidenti Joe Biden do të presë kryeministren Magdalena Andersson të Suedisë dhe Presidentin Sauli Niinistö të Finlandës në Shtëpinë e Bardhë të enjten, ndërsa vendet nordike ndërmarrin hapa për t’u anëtarësuar në NATO në përgjigje të agresionit rus ndaj Ukrainës.

Shtëpia e Bardhë tha se udhëheqësit do të diskutojnë për kërkesat e dy vendeve për të hyrë në aleancë, si edhe për sigurinë evropiane në përgjithësi. Kërkesat për anëtarësim të këtyre vendeve që kanë ruajtur një status neutral për dekada, janë vlerësuar gjerësisht brenda aleancës si reagim ndaj Rusisë pas sulmit ndaj Ukrainës.

Suedia nënshkroi të martën kërkesën zyrtare për t’u bashkuar me NATO-n, një ditë pasi njoftoi se do të kërkonte anëtarësimin në aleancën ushtarake prej 30 anëtarësh. Në Finlandën fqinje, ligjvënësit miratuan me shumicë dërrmuese vendimin e qeverisë për të kërkuar anëtarësim.

Miratimi i ligjvënësve nuk ishte i detyrueshëm, por presidenti Niniisto dhe kryeministrja Sanna Marin theksuan se ishte e rëndësishme që Parlamenti të shprehej për kërkesën për anëtarësim, që kreu i shtetit finlandez e quajti “historike”.

Të dyja venedet pritet të dorëzojnë kërkesën zyrtare në selinë e NATO-s brenda disa ditësh.

Një pengesë në këtë proces po paraqet Turqia, e cila befasoi aleatët e saj të NATO-s javën e kaluar, kur tha se nuk do t’i shihte kërkesat për anëtarësim të Suedisë dhe Finlandës në dritë pozitive, duke përmendur si argument kryesor faktin, që sipas saj, ato u japin strehim anëtarëve të grupeve, që Ankaraja i konsideron si terroriste.

Në një konferencë shtypi të hënën, Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha se tha se Turqia nuk do të miratojë aplikimet e tyre për t’u anëtarësuar në NATO, duke e quajtur Suedinë një “inkubator” për organizatat terroriste dhe duke shtuar se ata kanë terroristë në parlamentin e tyre.

Ai tha se delegacionet suedeze dhe finlandeze nuk duhet ta marrin mundimin të shkojnë në Ankara për ta bindur atë që të miratojë kërkesën e tyre për anëtarësim.

Ministria e jashtme suedeze kishte thënë më herët të hënën se përfaqësues të lartë të Suedisë dhe Finlandës planifikojnë të udhëtojnë në Turqi për bisedime për të diskutuar mbi kundërshtimet e Ankarasë

Por Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha se mesa kupton ai, Turqia do që t’i diskutojë shqetësimet e saj lidhur me Finlandën dhe Suedinë, por nuk ka ndërmend të bllokojë anëtarësimin e tyre.

Gjithsesi qëndrimi i Turqisë ka çuar në shqetësime në Uashington dhe Bruksel, se anëtarë të tjerë të NATO-s, mund të përdorin gjithashtu procesin e pranimit si një mënyrë për të marrë lëshime nga aleatët, duke e ndërlikuar dhe vonuar ndoshta pranimin.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre tha të martën se administrata është “shumë e sigurt” se do të arrihet një marrëveshje që të dyja vendet t’i bashkohen aleancës.

Parlamenti i Finlandës miraton propozimin për t’u bashkuar me NATO-n

Parlamenti i Finlandës ka miratuar me shumicë dërrmuese një propozim për të aplikuar për anëtarësim në aleancën e NATO-s.

Propozimi u miratua me 188 vota pro dhe 8 kundër.

Finlanda tani pritet të nënshkruajë një aplikim zyrtar dhe ta dorëzojë atë në selinë e NATO-s në ditët në vijim, së bashku me Suedinë. Suedia nënshkroi sot dokumentin e aplikimit dhe paralajmëroi se dorëzimi do të bëhej brenda javës bashkë me Finlandën.

Kjo vjen pasi Shtëpia e Bardhë njoftoi se presidenti finlandez, Sauli Niinistö, dhe kryeministrja e Suedisë, Magdelena Andersson do të takohen me presidentin amerikan, Joe Biden, të enjten për të diskutuar aplikimet e tyre në NATO. bw

Dy vite nga shembja e Teatrit Kombëtar, Meta: Akti kriminal që ende sot mbetet pa përgjegjës

TIRANË

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka kujtuar shembjen e Teatrit Kombëtar 2 vite më parë, duke e cilësuar një akt kriminal.

Presidenti Meta deklaron se akti kriminal që ende sot mbetet pa përgjegjës për shkeljet ligjore dhe kushtetuese, për shkeljen e Konventave Ndërkombëtare ku vendi aderon, si dhe për falsifikimet e zyrtarëve në të gjitha nivelet, tregon se sa e pavarur është drejtësia shqiptare

POSTIMI I PLOTË
🇦🇱 Si sot, dy vite më parë, nëpërmjet një akti kriminal në mes të errësirës dhe në kulmin e pandemisë, u shemb barbarisht në zemër të kryeqytetit, godina historike e Teatrit Kombëtar.

Mirënjohje për të gjithë artistët jonkonformistë, gazetarët e pavarur, intelektualët dhe qytetarët e shumtë, të cilët edhe pse të tradhtuar pabesisht nga lidershipi opozitar, u shndërruan në simbole frymëzuese të rezistencës ndaj arbitraritetit, korrupsionit dhe dhunës shtetërore, duke zgjuar ndërgjegjen shoqërore për rrezikun që kërcënon trashëgiminë kulturore kombëtare.

Akti kriminal që ende sot mbetet pa përgjegjës për shkeljet ligjore dhe kushtetuese, për shkeljen e Konventave Ndërkombëtare ku vendi aderon, si dhe për falsifikimet e zyrtarëve në të gjitha nivelet, tregon se sa e pavarur është drejtësia shqiptare që për dy vite jo vetëm nuk ka shpallur një fajtor, por as ka dhënë një përgjigje mbi arsyet e emergjencës të shembjes barbare të Teatrit Kombëtar. bw

Zelensky paralajmëron Putinin: Rusët po dështojnë, nëse tentojnë Donbasin, do t’i futen një rruge pa krye

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka thënë se rusët po përgatiten për një sulm të ri në Donbas. Ai ka thënë se nëse Putini do të ndërmarrë këtë hap, do të futet në një rrugë pa krye.

“Po përgatitemi për sulme të reja ruse në Donbas. Pushtuesit ende nuk duan të pranojnë se janë neutralizuar dhe i ashtuquajturi operacioni special ka dështuar. Populli do i shtyjë pushtuesit drejt njohjes së realitetit”, tha Presidenti rus.

Zelensky tha më tej se do të bëjnë gjithçka për flamurin ukrainas, ligjin dhe jetën në atë shtet.

Sakaq, vlen të përmendet se gjatë ditëve të fundit ka pasur disa zhvillime ndërkombëtare. Suedia dhe Finlanda kanë shprehur dëshirën për t’u anëtarësuar në NATO. Kryeministrat e të dyja vendeve kanë thënë se do të japin një kontribut të çmuar në aleancë dhe një anëtarësim i mundshëm, s’është parë me sy të mirë nga Kremlini. bw

In memoriam Dr.Gjon Buçaj: ZANI I VATRËS, ZANI I NDËRGJEGJES SË KOMBIT Raporti i Kryetarit Dr. GJON BUÇAJ në Kuvendin e Vatrës – 27 prill 2013

In memoriam – me rastin e ndarjes nga jeta të ish Kryetarit të Vatrës Dr.Gjon Buçaj, dje më 14 maj 2022. Po sjellim Raportin embajtur orej tij si Kryetar në Kuvendin e Vatrës – 27 prill 2013

Mysafirë të nderuem, delegatë, zonja dhe zotnij,

Asht nder i veçantë dhe kënaqsi për mue t’ju paraqes nji raport të permbledhtë për punën e Vatrës gjatë nji kohe ma tepër se dy dekadash. Shumica e këtij grupi vatranësh që e kanë sjellë Vatrën në Kuvendin e sotëm, kanë qenë aktivë për 30-40 vjet pa ndërpremje, disa edhe ma gjatë; atyne u dedikohet, kryesisht, mbijetesa e kësaj organizate kombtare në periudhën kritike, përpara dhe pas ramjes së komunizmit. Kur në Boston nuk kishte ma kush interesohej për mbajtjen e saj, kryetari i atëhershëm, z. Peter Lukas, i sygjeroi degës së New York-ut, e cila ishte shtylla kryesore, t’a sjellnin Vatrën në New York, dhe ashtu u ba. Qendra e saj sot asht në Bronx, në nji shtëpi që u ble me fonde të mbledhuna nga vatranët gjatë shumë vitesh, ku janë të vendosuna arkivi dhe biblioteka dhe ku përgatitet gazeta “Dielli” për shtyp.

Ndryshimet e mëdha n’arenën botnore që erdhën me ramjen e komunizmit, ndikuen edhe në Shqipni, ngadalë por në mënyrë të paevitueshme.  Mërgata shqiptare bante thirrje për ndryshime të pavonueme dhe paqsore, ndërsa elita komuniste me në krye Ramiz Alinë, ishin të gatshëm edhe me derdhë gjak të pafajshëm, për të mos i lëshue frenat e pushtetit, siç e dëshmuen me 2 prillit 1991, me vrasjen e katër studentavet në Shkodër.

Në këtë atmosferë u mbajt Kuvendi i 20 prillit 1991. Nji grup i sapo këthyem nga Shqipnia pasë vizitash me Ramiz Aline dhe me Nexhmije Hoxhën, tentoi të  merrte në dorë Vatrën dhe “Diellin”, sollën papritmas 40-50 antarë të rij, nga të cilët disa u caktuen delegatë, edhe pse kanunorja parashifte që delegati duhej të ishte se paku 2 vjet antar i rregullt. Këtë konflikt me kanunoren e kaluen delegatët e rregulltë në fillim të kuvendit, me aprovimin e delegatëve të rij.  Megjithë përpjekjet jashtë rregullit  dhe me ndonji mbështetje të randësishme si rrjedhim i mashtrimit se Ramiz Alia do të bante reforma demokratike, grupi në fjalë nuk pati sukses;  me shumicë votash të meshefta, u zgjodh kryetar profesor Arshi Pipa, pasi pranoi kandidaturën e propozueme nga ana e jonë, për të marrë kryesinë e Vatrës dhe gazetën “Dielli” për nji vjetë.

Në kuvendin e qershorit 1992 u zgjodh z. Agim Karagjozi, i cili ishte në thelbin e të gjitha aktiviteteve të Vatrës prej shumë vitesh. Në aktivitetet  që Vatra zhvilloi nën drejtimin e tij, mbështetja e përpjekjeve të Kosovës për liri mbetej prioritet, krahas me përkrahjen e proceseve të demokratizimit në Shqipni.

Në prill të vitit 1995, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Vatra përcolli eshnat e Konicës në Tiranë me nji delegacion të kryesuem nga Agim Karagjozi, bashkë me përfaqesues tjerë të diaspores shqiptare të Amerikës, ku dalloheshin krah për krah i ndjemi Imam Isa Hoxha dhe Dom Pjeter Popaj. Para përcjelljes u organizue nji seminar shkencor  në Fordham University në New York, ku morën pjesë ligjërues nga treva të ndryshme shqiptare dhe nga diaspora.

Të gjitha këto aktivitete u pasqyruen në faqet e “Diellit” që tashma redaktohej nga letrari i talentuem Anton Çefa, i cili e mbajti gazetën për disa vjet, në nji nivel kualiteti të denjë për traditën dhe emnin e saj.

Në vitet 90-a Vatra zhvillonte aktivitete të denduna por radhët e saj nuk po shtoheshin, kështu antarëvet u binte barrë e randë, të cilën ata e mbajshin me përkushtim e bujari. Kushtet nuk ishin të favorshme për mbajtjen e kuvendeve të rregullta, por megjithatë vatranët u mblodhën në kuvend me 2 nandor 1996; për arsye të rrethanave, delegatët vendosën të mos e ndryshonin udhëheqsinë, keshtuqë aktivitetet vazhduen me intensitet të pandërpremë.

Vatra ka organizue seminarë të suksesshem, për 90 vjetorin pastaj edhe për 100 vjetorin e gazetës “Dielli”, për 90 vjetorin e pavarësisë, si dhe nji seminar për Skenderbeun, ku gjithmonë asht kujdesë të ketë ligjërues nga Kosova, megjithë vështirësitë financiare; të shumtën e rasteve shpenzimet për udhtimet e ligjëruesve nga Kosova ose nga Shqipnia i kanë përballue individët pa publikim emnash, por vetëm në emën të Vatrës.

Përveç seminareve, Vatra ka sponsorizue ose promovue botime me vlerë kulturore e historike kombëtare, si historinë e Vatrës (1912-1920) dhe ate të marrëdhanjevet shqiptaro-greke të prof. Beqir Metës, Mendimi Shqiptar i viteve 30 të Ndrçim Kullës (në bashkëpunim me Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë), përmbledhjen e dokumantacionit të veprimtarisë së Rinisë Kosovare në Botën e Lirë, me autor Sejdi Bitiçin, dhe tash së voni, librin e dokumetuem me forografi mbi masakrat serbe nga prof. Nusret Pllana, si dhe librin tre vellimesh mbi historinë e Kosovës të historianit Jusuf Buxhovi. Sot nji javë, në këtë hotel, do të bahet paraqitja e botimit tre vëllimesh të studiuesit dhe publicistit të njoftun Mal Berisha, mbi humanistin amerikan Charles T. Erickson, mik dhe përkrahës i jashtëzakonshëm i shqiptarëvet.

Aktivitetet kulturore që Vatra ka zhvillue ose përkrahë, janë në vi me traditën e saj për vlerën e tyne kulturore kombëtare. Aktivitetet tjera dhe qendrimet, në dukje me ngjyrë politike, gjithashtu,  janë në vi me traditën e saj, për frymën e parimeve demokratike dhe të motivueme nga interesat jetike të kombit.

Përsa i përket Shqipnisë, Vatra ka ba thirrje për kalimin nga diktatura në demokraci pa dhunë dhe ka përkrahë ato forca që janë vu në opozitë me Partinë e Punës, që kishte ndërrue emnin në Parti Socialiste por kishte  “ndërrue qimen, jo vesin”. Në takimet që kemi pasë, që prej fillimit, si dhe me deklarata për shtyp, kemi përkrahë zhvillimin e proceseve demokratike dhe kemi shprehë qëndrime dhe mendime mbi ecuninë e atyne  proceseve dhe të integrimeve euroatlantike. Ka qenë gjithmonë mendimi dhe dëshira e jonë që shtresa e ish të përsekutuemëvet të integrohej efektivisht në sistemin politik, për të ndimue shkëputjen nga e kaluemja e diktaturës dhe për të ecë përpara drejt konsolidimit të demokracisë, si dhe për çmimin e randë që ajo shtresë ka pague për qëndresën kundër dominimit komunist. E kemi konsiderue si detyrë morale dhe nevojë kombëtare dënimin e krimeve të komunizmit dhe të kriminelëve, hapjen dosjeve dhe zbatimin e ligjit të lustracionit, këthimin e pronave të grabituna me forcë nga regjimi komunist, ose shpërblimin në mënyrë të arsyeshme kur këthimi ishte i pamundun. Me shtresën e ish të burgosunvet e të perndjekunve, jemi ndie solidarë dhe kemi dëshirue e porositë ruejtjen e  kohezionit të saj si forcë e madhe morale, për të luejtë nji rol të randësishëm pozitiv në jetën e vendit. Mjerisht, ajo shtresë u përça dhe u dobësue, kryesisht për mungesa të vetat, por edhe për “merita” të dy krahëve të politikës.

Tragjedija e vitit 1997 na shqetsoi thellësisht dhe Vatra mori qëndrim të ashpër kundër forcavet politike që ndoqën rrugën e rrenimit të vendit për të ardhë në pushtet. Në nji vizitë në Shqipni, për të përkrahë koalicionin demokratik kundër qeverisë së ardhun në pushtet me dhunë, kryetari Karagjozi deklaroi se ajo qeveri nuk e kishte “të drejtën ligjore dhe as morale të ketë në duar frenat e shtetit shqiptar dhe qeverisjen. Ajo e mori pushtetin me dhunë e dame të mëdha materiale, kulturore dhe në njerëz të pafajshëm.” “Qëndrimi i vëndosur i Vatrës kundër diktaturës dhe ideologjisë komuniste nuk është qëndrim politik, por thjeshtë kombëtar.”

Si shqiptarët e çdo kohe larg atdheut, kemi nda gëzimin dhe idhnimin me popullin në vendlindje. Vrasja e Arben Brocit me shokë asht plagë e hapun, me ministrin e mbrendshëm që dha urdhnin e masakrës, ende në sfera të larta të politikës, pa dhanë kurrëfarë përgjegjësije ai as dora vrastare. Vrasjet e shumëta në vitin e mbrapshtë 1997, djegëja e objekteve kulturore dhe shkatrrimi i institucionit ushtarak, tragjeditë e shpërthimeve në Gërdec, të vërshimeve në Shkodër e në zona tjera, na kanë zgjue ndjenjën e dhimës, jemi përpjekë të gjindemi pranë dhe të tregojmë solidaritetin tonë, sado modest. Kemi çue zanin kundër ngritjes së memorialeve për ushtarët grekë të ramë në tokën shqiptare si okupatorë, si dhe kundër mbajtjes peng të parlamentit dhe të funksionimit të shtetit ligjor, tue mos u njoftë rezultatet zgjedhore të vitit 2009, për interesa të ngushta partijake e përsonale, për të mos humbë pozitën.

Kemi nda edhe gëzimet e arritjeve të cilat jemi përpjekë t’i shijojmë për së afërmi. Kanë qenë momente gëzimi e krenarije inaugurimi i “Rrugës së Kombit” dhe nënshkrimi i pranimit të Shqipnisë në NATO nga Presidenti George W. Bush në Shpinë e Bardhë, raste këto ku Vatra ka qenë prezent.

Për çashtjen e Kosovës, angazhimi i Vatrës ka qenë gjithmonë i vazhdueshëm, por prej demonstratave studentore të vitit 1981, intensiteti i aktivitetevet në komunitet asht rritë vazhdimisht, tue nisë me demonstrata të mëdha në New York, fillimisht me inisjativën e pjesës nacionaliste. Ma vonë ndërhynë edhe elementa të porositun nga Sigurim dhe nga UDB-a në të njajtën kohë, tue përdorë flamurin me yllin e kuq, me qëllim që botës perëndimore dhe sidomos Amerikës, t’i krijohej bindja se Kosovarët po përpiqeshin të ndryshonin kufijt për t’u bashkue me Shqipninë, tue krijue kështu, nji shtet marksist-leninist të fortë në Ballkan. Kjo taktikë e ka vështirësue, por nuk ka mujtë me e ndalë informimin korrekt të opinionit vendimmarrës.

Dalja në skenë e elitës kosovare me në krye dr. Ibrahim Rugovën dhe themelimi i Ligës Qytetare Shqiptare Amerikane nga Kongresmeni i palodhshëm Joseph DioGuardi me origjinë arbëreshe, luejtën nji rrol të jashtëzakonshëm për internacionalizimin  e çashtjes së Kosovës.

Përjetuem ankthin e luftës dhe dhimën e thellë për viktimat e terrorit serb, ndimuem në çdo mënyrë të mundshme, bashkuem zanin me atë të të gjithë diasporës në thirrje Amerikës për intervenim.

Në vitin 1998 udhëtuem në Bajram Curr për të vizitue të plagosunit e UÇK-së në spital ku sollëm dhe nji sasi ilaçesh, dorëzuem nji çek Ministrit të atëhershëm të Financave në Zyrën e Përfaqësisë së Kosovës në Tiranë. Kaluem edhe në Maqedoni, jo pa probleme në kufi,  vizituem fgamiljen e te burgosunit Rufi Osmani, Universitetin e Tetovës; takuem udhëheqës dhe aktivista shqiptarë, për të dëshmue solidaritetin tonë me përpjekjet e tyne.

Mbas çlirimit Vatra shkoi në Kosovë në vitin 1999, për të nda gëzimin e lirsë dhe mirënjohjen për ata që lirisë ia falën jetën.

Jemi përpjekë gjithnji të gjindemi aktivisht me popullin dhe elitën kosovare gjatë përpjekjeve për pavarësi, kemi dënue vrasjet politike që ende presin zbardhje e drejtësi, atentatin kundër Presidentit Rugova, dhunën ndaj individëve dhe objektevet fetarë, si dhe akte të tjera me synim për të destabilizue dhe pengue Kosovën në rrugën drejt pavarësisë.

Bashkë me popullin e Kosovës nderuem me dhimbje Prijsin larpamës, arkitektin e Pavarësisë, dr. Ibrahim Rugovën, në përcjelljen e fundit me 21 janar 2006.

Në aktivitetet e kësaj periudhe që nuk mund të rreshtohen të gjitha në këtë raport, Këshillin Drejtues e ka udhëheqë zoti Agim Karagjozi, me përkushtim të rrallë dhe me matuninë karakteristike që e cilësoi gjatë eksperiencës së tij shumë vjeçare në shërbim të Vatrës.

Viti 2009 ishte me randësi të veçantë për Vatrën, pse shenonte 100 vjetorin e gazetës “Dielli” që, kryesisht për mungesë fondesh, ishte ndërpre prej afër dy vjetësh. Përkujtimi i këtij jubileu të gazetës me nji konferencë shkencore të suksesshme, ku ligjëruen shkencëtarë e studjues nga diaspora, nga  Shqipnia dhe nga Kosova, shënoi nji këthesë për “Diellin” dhe ndihmoi për gjallnimin e Vatrës. Gjatë zhvillimit të konferencës filloi spontanisht nji fushatë fondesh për botimin e gazetës. Pak ma vonë, papritmas, u gjet i lirë gazetari i njoftun Dalip Greca, i cili pranoi me entuzjazëm ofertën e Vatrës të merrte përsipër redaktimin e organit të saj. Prej atëherë gazeta u ba e përmuejshme dhe z. Greca e përgatitë me profesionalizëm të lartë, e nxjerr gjithmonë në kohë, kujdeset për shtypjen dhe postimin, tue  tregue përkushtim të admirueshëm, si për gazetën ashtu edhe për Vatrën.  Selia e Vatrës asht ba banesa e tij e dytë.  Ai e mban gazetën edhe në internet, gazetadielli.com, me edicion të përditshëm. Andrra e tij dhe e vatranëvet asht që “Dielli” të bahet gazetë javore.

Në marsin e vitit 2010 z. Karagjozi iu drejtue Këshillit të Vatrës tue konstatue me kënaqsi se aktiviteti i Vatrës po rritej, me përspektivë edhe për hapjen e degëve, nji proces që pat fillue me degën në Washington, DC. Ai shtoi se aktivitetet që e presin Vatrën kërkonin ma shumë energji, për të cilën nuk e ndiente veten në gjendje t’a përballonte fizikisht. Prandej dha dorëheqje dhe, nga dy nënkryetarët, propozoi atë ma të vjetrin që të drejtonte Vatrën deri në kuvendin e ardhshëm. Këshilli Drejtues e pranoi propozimin me vota unanime.      Ky ishte nji ndryshim i nevojshën administrativ në kryesi, por jo ndryshim drejtimi. Vatra nuk mund ta ndryshojë drejtimin e saj parimor!

Shumica e vatranëve vendosi që kuvendi të mbahej mbas kremtimit të 100 vjetorit të themelimit të Vatrës, për suksesin e të cilit duhej mobilizim serioz dhe bashkëpunim i gjanë, përtej rradhëve të Vatrës. Në mbledhjet e Këshillit u hodh ideja se 100 vjetori i këti institucioni historik nuk u përket vetëm shqiptarëve të Amerikës, por të gjithë kombit. Për këtë qellim Këshilli ngarkoi kryetarin që, bashkë me antarin e Këshillit Drejtues, z. Bashkim Musabelliu dhe me editorin e “Diellit”, z. Dalip Greca, të shkonte në Shqipni, në Kosovë dhe në Maqedoni.

Me këtë mision, në muejin qershor 2011, vizituem institucionet shtetnore, qeveritare, kulturore dhe fetare. Sollëm mesazhin e vatranëvet dhe deshirën që 100 vjetori i themelimit të Federatës Panshqiptare VATRA të shënohej edhe në trojet shqiptare dhe të përfshihej në kremtimet gjthëkombëtare të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipnisë. Delegacioni u prit nga titullarët e instituconeve, u çmue mesazhi i Vatrës dhe u pëlqye nga të gjithë. Me atë rast i ftuem ata në kremtimet që ishin caktue të zhvilloheshin në New York, në prillin e vitit 2012. Gjatë këti udhtimi morëm pjesë në manifestimin madhështor në pikën kufitare Qafë Botë, me kërkesat për zgjidhjen e çashtjes Çame, të cilën Vatra e ka përkrahë gjithmonë dhe do t’a përkrahi në të ardhmen.

Për aktivitetet akademike në 100 vjetorin e Vatrës që janë zhvillue në Tiranë dhe në Prishtinë asht shkrue në “Dielli”, ku janë botue edhe kumtesat përkatëse.

Për kremtimet në New York nuk do t’ju marr kohë pse shumica keni qenë prezent, por po kufizohem në disa pika kryesore.

Kremtimi u përgatit dhe u realizue me sukses nga vatranët, me bashkëpunimin dhe përkrahjen bujare të komunitetit, ku në mënyrë të veçantë duhet të përmenden entet fetare dhe klerikët tanë. Të gjithëvet u shkon meritë e çmueshme dhe mirënjohja jonë e thellë.

Në Konferencën Shkencore të 28 prillit, ligjëruen shkencëtarë historianë, publicistë e studiues të njoftun nga të gjitha viset shqiptare dhe nga diaspora, me tema të randësishme dhe me disa nga përmbajtjet të sjelluna para publikut për herë të parë. Asht për t’u shënue pjesëmarrja si ligjërues e Ambasadorit të Amerikës në Tiranë, z. Alexander Arvizu, që nderonte 100 vjetorin e kësaj organizate historike shqiptaro-amerikane.

Këtë seminar jubilar e nderonin me prezencën dhe përshëndetjet e tyne përsonalitete të shqueme të botës shqiptare, si Kryeministri i Shqipnise, dr. Sali Berisha; z/v Kryeministerja e Maqedonisë, dr. Teuta Arifi, përsonaliteti ma i lartë shqiptar në qeverinë e ati shteti; Ministri i Diasporës i qeverisë së Kosovës, z. Ibrahim Makolli; Rektori i Universitetit Shtetnor të Tetovës, prof. dr. Agron Reka dhe Princi Leka Zogu.

Më lejoni të shtoj në këtë rast se, edhe këtë kuvend sot, e nderojnë me prezencën dhe fjalët e tyne shumë dashamirëse, Ministri Makolli i shoqnuem nga z. Naim Dedushaj, si dhe Konsujt e Përgjithshëm shqiptarë në këtë vend, z. Dritan Mishto dhe z. Bekim Sejdiu, gjithmonë dashamirë afër Vatrës.

Konferenca Shkencore u hap me nji lutje fetare së cilës i prini Peshkopi Ortodoks i shqiptarëve të Amerikës, Hirësia e tij Nikon Liolin, me pjesëmarrjen e krenëve të besimevet tjera, Imam Gazmend Aga i Komunitetit Mysliman të Shqipnisë, Imzot Dod Gjergji Ipeshkvi katolik i Kosovës, Baba Edmond Brahimaj Kryegjyshi Botnor i Bektashijve dhe arbëreshi Papas Antonio Bellusci.

Edhe darka solemne filloi me lutje të përbashket, në traditën e trashigueme prej Rilindasve dhe për të dishmue randësinë që harmonia nderfetare ka për kombin shqiptar. Në këtë kuptim asht ribotue, në faqen e parë të gazetës “Dielli” që keni përpara sot, fotografia me klerikët gjatë lutjes, të cilën e prini, me pëlqimin e të gjithë bashkëvllazënvet tjerë klerikë, prifti arbëresh At Antonio Bellusci.

Besojmë se në trojet shqiptare duhet kushtue ma shumë kujdes këtij subjekti dhe duhen përkrahë klerikët që shërbimin shpirtnor e ushtrojnë me përkushtim edhe në frymën kombëtare.

Përkitas me temën e besimevet, duhet theksue se Vatrën e shqetson zbehja graduale e Autolqefalisë së Kishës Ortodokse Shqiptare, e cila u realizue me nismën e Fan Nolit dhe me shumë përpjekje, si arritje me vlerë të randësishme kombëtare. Prandej vatranët kanë përkrahë moralisht dhe, simbas mundësisë materialisht, Kishën e Shën Mërisë në Elbasan, për qendrimin e kjartë në vi me Autoqefalinë. Jemi mirënjohës Presidentit të Republikës së Shqipnisë që vlerësoi kërkesën e Vatrës dhe dekoroi, bashkë me klerikë të tjerë, edhe dy priftërinj që u këthyen në Shqipni dhe punuen për suksesin e Kongresit të Beratit të vitit 1922, ku u morën vendimet për Autoqefalinë. Ata ishin Peshkopi Agatangel Çamçe dhe At Vasil Marko, të cilët kishin shërbye ma përpara nën jurisdiksionin e Nolit në Shtetet e Bashkueme të Amerikës.

Në pragun e 100 vjetorit të pavarësisë, ishte bisedue në Këshillin Drejtues të Vatrës, për nevojën e përkujtimit dhe mirënjohjes të figurave dhe ngjarjeve historike, si detyrë morale kombëtare. Ishte përmendë, ndër të tjera, ura në Podgoricë ku ishte vra Isa Boletini, si nji nga vendet që duheshin përkujtue dhe mundësisht vizitue, në kuadrin e vitit jubilar të pavarësisë. Në këtë frymë, në fillim të tetorit 2012, u realizuen vizita në disa nga vendet  me randësi historike: Kulla-Muze e Isa Boletinit, Ura e Ribnicës ku heroi u vra në pritë dhe katundi Isniq ku sapo ishte zbulue monumenti i tij; Kulla-Muze e Dedë Gjo’Lulit dhe Bratila ku ai ngriti Flamurin me 1911; ceremonia e inaugurimit të monumentit të Ali Ibrës në Gjakovë. Doemos u ndalëm te  memoriali i Presidenti historik, dr. Ibrahim Rugova në Prishtinë dhe te ai i Jasharajvet legjendarë në Prekaz, vende pelegrinazhi kombtarë, ku u vendosën kunora lulesh:                             Vatra, me nderim e mirënjohje të përjetshme.

Me afrimin e 100 vjetorit të themelimit u ngjall interesimi për Vatrën dhe po shtoheshin degët me antarë të rij. Në këtë kuvend arrijtëm me shtatë degë, disa me antarë të regjistruem para pak ditësh. Me qellim afrimi, kemi vendosë që të gjithë delegatët të vijnë në kuvend me të drejta të barabarta, edhe pse kushtetuta parashef  që delegatët të jenë antarë të rregullt prej dy vjetësh e lart. Këta do të bahen legjitimë me votën e delagatëve të rregullt, para se të fillojë sesioni i punës ku do të merren vendime dhe do të bahen votime, në të njajtën mënyrë si në kuvendin e vitit 1991, por kësaj here për të tërheqë sa ma shumë antarë, të cilët vijnë me qellim të mirë për të ndimue Vatrën. Shumë prej nesh kemi refuzue  vullnetarisht emnimin delegatë, për të lanë vend për sa ma shumë delegatë nga antarët e rij.

Asht nevoja që në këtë kuvend të merren vendime, për të vu në rrugë përshtatjen me kushtet e kohëse, të neneve të kanunores që rregullojnë strukturën administrative të Vatrës. Përshtatja mund të bahet me ndryshime të neneve ose me shtesa (amendamente), gjatë kohës deri në kuvendin e ardhshëm, ku do të votohet për aprovimin final. Nenet që përcaktojnë parimet e Vatrës nuk mund të ndryshohen!

Administrata që do të dali nga ky kuvend, duhet të përkushtohet për të mbajtë të gjallë e në rritje entuzjazmin vatran të mujve të fundit, për të shtue numrin e antarëve dhe organizimin e degëve të reja, në mënyrë që Vatra të shtrihet në të gjitha qendrat ku ka shqiptarë, në Shtetet e Bashkueme dhe në Kanada; të vijë në gjendje me nxjerrë gazetën ma shpesh, mundësisht nji herë në javë, dhe të angazhojë nji editor për pjesën anglisht. Me kontributin e kronikave nga degët, “Dielli” duhet të bahet pasqyra e komunitetit shqiptar të Amerikës, pa lanë pas dore hapsinën gjithëkombëtare.

Komunitetit shqiptar në këtë vend duhet t’i kushtohet shumë ma tepër kujdes se deri tash. Vatra duhet të rritet, të hapet dhe të fuqizohet, në proporcion me emnin e madh që ka, për të luejtë efektivisht rrolin prijs që i përket. Të gjithë ata që e njofin nevojën dhe dobinë e nji Vatre të fortë, duhet të afrohen dhe të bahen pjesë e saj, Vatra asht dhe duhet të vazhdojë të jetë e të gjithëvet.

Angazhimi i Vatrës për çashtjet shqiptare duhet të jetë aktiv dhe konseguent, si në arenën kombëtare edhe në atë ndërkombëtare, por zani i saj duhet të jetë gjithmonë zani i ndërgjegjes së kombit, objektiv dhe i pamëvarun, mbi interesat e korrenteve politike.

Faleminderit!

 

Dr. GJON BUÇAJ

Dr. Gjon Buçaj, trashëgimia e tij në VATRA, meritojnë vlerësimin më të lartë nga Presidenti Meta dhe shteti shqiptar – Nga Elida Buçpapaj dhe Skënder Buçpapaj

 

Është një lajm shumë pikëllues ndarja nga jeta e ish kryetarit të Federatës Pan Shqiptare Vatra, një nga figurat më të ndritura të komunitetit shqiptar në Amerikë, Dr. Gjon Buçaj, këtij pasuesi të madh të trashëgimisë atdhetare të Faik Konicës, Fan Nolit, Kristo Kirkës, Kristo Dako, Arshi Pipës, Agim Karagjozit, i cili jetoi dhe veproi nën moton noliane “Mbaju Nënë, mos ki frikë, se ke djemtë në Amerikë!”

Dr. Gjon Buçaj iu kushtua një gjysmë shekulli Federatës Pan Shqiptare VATRA, iu kushtua çështjes sonë kombëtare të rrezikuar nga komunizmi enverian në Shqipëri, nga shovinizmi serbomadh në trojet tona jashtë Shqipërisë, iu kushtua unitetit dhe përparimit të kombit tonë, integrimeve të tij me Perëndimin, miqësisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

I lindur dhe i rritur me ideale të larta kombëtare dhe në një familje atdhetare dhe antikomuniste nga Arsti i Pukës, i formuar dhe i shkolluar në Perëndim, Dr. Gjon Buçaj iu mbeti besnik deri në pikën e fundit të shpirtit këtyre idealeve.

Me largimin e Agim Karagjozit, kryetarit më jetëgjatë të Federatës Pan Shqiptare VATRA, Dr. Gjon Buçaj, si bashkëveprimtari i tij më i ngushtë dhe më i zoti, u zgjodh pasues i tij. Në këtë detyrë, për shumë vite, me zgjuarsi, me guxim e trimëri qytetare, me vizion intelektual e mbrojti institucionin nga trysnitë dhe diversionet e jashtme, nga intrigat dhe përçarjet e brendshme, e ruajti të pacënuar traditën e artë vatrane, e bëri koheziv me sfidat e shumta që sillnin proceset e pas Luftës së Ftohtë në Shqipëri, Kosovë e trojet e tjera shqiptare, në kuadrin bshkëkohor të marrëdhënieve të reja miqësore shqiptaro-amerikane dhe në kushtet e një vale të re emigrantësh shqiptarë të vendosur në Amerikë.

Për Dr.Gjon Buçajt “Zani i Vatrës ishte Zani i Ndërgjegjes të Kombit”.

Në këtë periudhë u forcua miqësia jonë me Dr. Gjon Buçajn, u vendos komunikimi ynë i pandërprerë, i sinqertë, konstruktiv. Gjatë dhjetë viteve në “Bota sot” e më vonë si botues të VOAL, falë komunikimit gjithnjë të papërtuar, gjithnjë mendjekthjellët e mendjalartë të Dr. Gjon Buçajt ne vazhduam të pasqyrojmë me sukses të plotë veprimtarinë e VATRA-s dhe të sjellim në dritë të plotë rolin e saj në të gjitha proceset shqiptare.

Miqësia jonë me Dr. Gjon Buçajn u ruajt e pacënuar edhe pasi u largua nga kreu i VATRA-s dhe nuk rreshti asnjëherë. Dr.Gjon Buçaj na kishte treguar një histori shumë filozofike, se miqtë, shokët dhe bashkëpunëtorët nuk braktisen. Dr.Gjon Buçajn e përjashtuan në moshën 85 vjeçare nga Vatra, pas një kontributi të tij gjysmë shekullor.  Dr. Gjoni u lëndua fort për lënien e tij jashtë dyerve të institucionit, për shpërfilljen dhe padrejtësitë ndaj figurës, trashëgimisë dhe ndaj Vatranëve. Dr. Gjon Buçaj nuk u pajtua asnjëherë me frymën përçarëse që u praktikua këto vite në institucion që të sjellin ndër mend metodat e ish-Sigurimit të Shtetit si dhe me shkelje të rënda të Kanunores së VATRA-s dhe me ndryshime të dëmshme të bëra në Kanunore.

Mllefi që patën pasuesit e Dr. Gjon Buçajt ndaj tij u shfry edhe ndaj atyre  që nuk i pranonin dhe nuk u pajtuan si me këto qendrime arbitrare ndaj Dr. Buçajt, ashtu edhe me shkeljet e Kushtetutës  me datën dhe firmën e Etërve historikë të Federatës Pan Shqiptare që ka mbushur plot 110 vjet ashtu dhe me padrejtësitë ndaj kritikuesve të këtyre dukurive në VATRA.

E ndjejmë dhe do ta ndjejmë gjithnjë mungesën e Dr. Gjon Buçajt, mungesën e fjalëve të tij të zgjuara dhe të ngrohta dhe qendrimet e tij të papërkulura dhe me integritet për të mbrojtur Vatrën dhe të vërtetën.

Me shumë pikëllim, ne botuesit e VOAL, i shprehim ngushëllimet tona zonjës Nikoleta Shiroka Buçaj, gjithë familjes, gjithë të afërmve, gjithë Vatranëve, gjithë miqve e admiruesve të shumtë të Dr. Gjon Buçajt për ndarjen nga jeta të ish kryetarit të Federatës Pan Shqiptare VATRA, çka është një humbje e madhe jo vetëm për njerëzit e tij, jo vetëm për VATRA-n, por edhe për çështjen tonë kombëtare së cilës iu kushtua deri në fund.

Është në nderin dhe detyrën tonë ta vlerësojmë lart figurën dhe trashëgiminë atdhetare të Vatranit të madh Dr. Gjon Buçaj, emër i shkruar me germa të arta pranë emrave të korifejve të Federatës Pan Shqiptare VATRA;

Është në nderin e institucioneve më të larta shqiptare, në nderin e Shqipërisë, të Presidentit Meta si Kryetar i Shtetit që figurës së ndritur të Dr. Gjon Buçajt t’i bëhen nderimet dhe vlerësimet më të larta.

 

Pan Albanian Federation of America Vatra (the Hearth) DC Chapter: U nda nga jeta Dr.Gjon Buçaj, ish kryetari i Vatrës që i kushtoi gjithë jetën çështjes kombëtare

ELMI BERISHA MESAZH NGUSHËLLIMI NË EMËR TË VATRËS: SHUHET PATRIOTI I MADH DR. GJON BUÇAJ

Amaneti i Dr.Gjon Buçajt Kanunorja e Vatrës

Pan Albanian Federation of America Vatra (the Hearth) DC Chapter: U nda nga jeta Dr.Gjon Buçaj, ish kryetari i Vatrës që i kushtoi gjithë jetën çështjes kombëtare

Pan Albanian Federation of America Vatra (the Hearth) DC Chapter

 

Federata Pan Shqiptare Vatra, dega Washington DC ka dhënë lajmin e hidhur për ndarjen nga jeta të Dr. Gjon Buçajt, ish kryetarit të Vatrës, një nga figurat më të shkëlqyera të komunitetit shqiptaro-amerikan si më poshtë:

“Eshte ndare sot nga jeta ish- kryetari i Federates Pan Shqiptare te Amerikes VATRA Dr. Gjon Bucaj.

Dr. Bucaj i kushtoi jeten e tij çeshtjes kombetare shqiptare,

ne lufte te pandalshme me komunizmin enverian si dhe nuk pushoi se punuari per te mbrojtur institucionin e Federates Pan Shqiptare te Amerikes VATRA ashtu siç e kishin lene korifenjte e saj.

Jeta, puna, sakrificat e Dr. Gjon Bucajt do te mbeten ne historine e kombit shqiptar ne vitet qe vijne dhe do te mbetet burim frymezimi per brezat e ardhshme te atyreve shqiptareve qe vertet duan zhvillimin, demokratizimin dhe lirine e kombit shqiptar.

I perjetshem qofte kujtimi i ketij heroi te kombit shqiptar.

Ne perjetesi Dr. Gjon Bucaj.”

Ukraina fitoi Eurovisionin, reagon Zelensky: Fitorja me armikun nuk është larg

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka reaguar pas fitores së përfaqësueses së Ukrainës në festivalin e këngës Eurovision. Ai tha se vitin tjetër do të bëjë gjithçka që festivali të mbahet në Ukrainë.

Zelensky falënderoi orkestrën Kalush për performancën që çoi fitoren në Kiev dhe të gjithë ata që votuan për Ukrainën, në një postim në Telegram.

“Jam i sigurt që korda jonë fitimtare në betejën me armikun nuk është larg”, deklaroi ai, raporton CNN.

Fituesi i këtij kompeticioni pret finalen e vitit të ardhshëm, por me luftimet e ashpra që vazhdojnë ende në Ukrainë është e paqartë se ku do mbahet festivali në vitin 2023. bw

Dështon Putin- Ushtria ukrainase: Rusia ka humbur betejën për Kharkivin, nis tërheqja e trupave

Pas javësh të tëra bombardime mbi qytetin e dytë më të madh në Ukrainë, Kharkiv, ushtria ruse ka humbur dhe është duke tërhequr tashmë trupat.

Shtabi i përgjithshëm i Ukrainës tha se rusët po tërhiqeshin nga qyteti verilindor dhe po përqendroheshin në ruajtjen e rrugëve të furnizimit, ndërsa forcat e Kievit dhe Moskës u angazhuan në një betejë të rëndë për zemrën industriale lindore të vendit.

Forcat ruse në vend të kësaj do të përqendrohen në lëshimin e mortajave, artilerisë dhe sulmeve ajrore në provincën lindore të Donetsk-ut, me qëllim që të shterojnë forcat ukrainase dhe të shkatërrojnë fortifikimet.

Instituti për Studimin e Luftës, një institut me bazë në Uashington, tha se Ukraina duket se ka fituar Betejën e Kharkiv. Aty thuhej se forcat ukrainase penguan trupat ruse të rrethonin dhe të kapnin Kharkivin, dhe më pas i dëbuan ato nga rrethinat e qytetit.

Kjo do të thotë se artileria ukrainase tani mund të synoja çlirimin e qytetit Vovchansk, i cili përmban një autostradë kryesore dhe linjë hekurudhore që furnizon forcat ruse në Donbas.

Kryetari i bashkisë së Kharkiv, Ihor Terekhov, i tha BBC-së se trupat ruse kishin arritur të hynin vetëm një herë në një pjesë të vogël të qytetit kyç verilindor dhe nuk ishin aty për një kohë të gjatë.

“Rusët po bombardonin vazhdimisht Kharkivin sepse po qëndronin shumë afër qytetit.”

Por tani që ata janë tërhequr, njerëzit po kthehen gradualisht në qytet dhe po sigurojnë furnizim me ujë, gaz dhe rrymë për të gjithë qytetarët.

“Megjithatë, për fat të keq, shumë ndërtesa banimi janë shkatërruar ose dëmtuar. Pra, në të ardhmen do të duhet të bëjmë një rindërtim të madh”, tha kryetari i bashkisë.

Guvernatori rajonal Oleh Sinegubov tha në një postim në aplikacionin e mesazheve Telegram se nuk kishte pasur sulme granatimesh në Kharkiv ditën e kaluar.

Ai tha se Ukraina kishte nisur një kundërofensivë pranë Izyum, një qytet 78 milje në jug të Kharkiv që ka qenë nën kontrollin efektiv rus që të paktën nga fillimi i prillit.Luftimet ishin të ashpra në lumin Siversky Donets afër qytetit të Severodonetsk, ku Ukraina ka nisur kundërsulmet, por nuk arriti të ndalojë përparimin e Rusisë, tha Oleh Zhdanov, një analist i pavarur ushtarak ukrainas. bw


Send this to a friend