Në një reagim të publikuar nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) është paralajmëruar ngritja e padisë së dytë ndaj Lirim Mehmetajt për shpifje dhe fyerje.
BIRN në reagim ka paralajmëruar padi për deklaratat e Mehmetajt, të cilat ishin publikuar në një video-material më 04/05/2026 (linku i raportimit), në të cilin Mehmetaj pretendon se “KALLXO Përnime” dhe Jeta Xharra bëjnë shantazhe.
Ai ka pretenduar se në platformat e BIRN-it nuk janë publikuar materiale për kompaninë “Rukolli” pas kontratave për marketing.
Në reagimin e BIRN-it janë demantuar pohimet e Mehmetajt, të cilat nuk janë të mbështetura në fakte për shkak se me kompaninë nuk ka kontratë sponsorizimi por kontratë reklamimi dhe raportimet hulumtuese për subjektin në fjalë nuk janë ndalur asnjëherë.
Lexoni reagimin e plotë të BIRN-it:
Reagim dhe autorizim i padisë së dytë për shpifje ndaj Lirim Mehmetajt
Për një kohë të gjatë dhe përkundër hapave ligjorë me padinë e parë, Lirim Mehmetaj është duke shpërndarë gënjeshtra e shpifje lidhur me BIRN dhe Jeta Xharrën. Pas fushatës me të pavërteta, përmes të cilës sulmonte muzeun e luftës “Reporting House”, së fundmi, më 04.05.2026, Mehmetaj e ka postuar një video në të cilën pretendon se Jeta Xharra ka arritur marrëveshje të fshehtë me Rukollin dhe kompanitë e tij për të mos-raportuar në këmbim të kontratave për marketing.
Kjo është rrenë e kulluar dhe nuk mbështetet në asnjë fakt!
Mbi dokumentet dhe provat faktike për këtë të pavërtetë, BIRN dhe Jeta Xharra do të ushtrojnë padi për shpifje ndaj Lirim Mehmetajt. Në pritje të një vendimi gjyqësor, i cili në rastet e shpifjeve kërkon kohë për shkak të mbingarkesave gjyqësore, po i sqarojmë faktet publikut:
1. Në BIRN, sipas strukturës, politikës redaktoriale dhe rregullativës organizative, çështjet e financimit, ku hyjnë edhe çështjet e kontratave, të projekteve, donacioneve dhe marketingut, janë plotësisht të ndara nga stafi editorial dhe hulumtues;
2. Kontrata e parë për marketing me kompanitë e Rukollit është nënshkruar në vitin 2021. Të hyrat nga kjo kontratë, edhe të gjitha të hyrat e tjera janë publike, të publikuara në ueb-faqen e BIRN dhe plotësisht transparente;
3. Që nga viti 2021, këto janë disa nga raportimet për kompanitë e Rukollit:
Sa i përket akuzave dhe rrenave të Lirim Mehmetajt se BIRN dhe Jeta Xharra janë financuar nga Serbia për të penguar ndërtimin e termocentralit të ri me thëngjill, ia kujtojmë publikut se të gjitha transaksionet tona financiare janë publike. Secili raportim i BIRN dhe Jeta Xharrës është i bazuar në fakte dhe në disa burime të ndryshme të pavarura.
Publiku por edhe të gjithë akterët e përfshirë në çështjen e termocentraleve i kanë të njohura raportimet tona për termocentralet, e bashkë me to i kanë të njohura edhe faktet se raportimet e BIRN për këtë çështje kanë përfunduar me aktvendimin e Gjykatës së Prishtinës, e cila ka konstatuar parregullsi në procesin e vendimarrjes për termocentralin “Kosova C”.
Fushatat e tilla të llojit të Mehmetajt, të cilët synojnë t’i pengojnë aktivistët dhe shoqërinë civile që ta mbrojnë interesin publik në gjykata, janë të dëmshme dhe synojnë qëllimshëm të minojnë vlerat demoratike.
BIRN i bën thirrje Gjykatës së Prishtinës që me urgjencë të trajtojë paditë dhe mbi autoritetin e ligjit të obligojë publikuesit të fshijnë materialet me përmbajtje shpifëse.