VOAL

VOAL

Pas 15 vjetësh, aktakuzë për vrasjen e Diana Kastratit

Radio Evropa e Lirë

Prokuroria Themelore në Prishtinë ngriti aktakuzë ndaj A.J., të dyshuarit për vrasjen e Diana Kastratit, 15 vjet pasi ajo u vra me armë zjarri në Prishtinë.

Lajmin e konfirmoi për Radion Evropa e Lirë Prokuroria Themelore në Prishtinë, e cila bëri të ditur se aktakuza është ngritur në mungesë, më 22 tetor 2026.

Përveç veprës penale të vrasjes, A.J. akuzohet edhe për “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Megjithatë, mbetet e paqartë se çfarë ka ndryshuar në këtë rast pas një dekade e gjysmë dhe çfarë e ka mundësuar ngritjen e aktakuzës pikërisht tani.

Sipas raportimeve të mëhershme, i akuzuari ndodhej në Spanjë dhe autoritetet kosovare kishin hasur në pengesa për ekstradimin e tij.

Radio Evropa e Lirë e pyeti Prokurorinë për arsyet e vonesës së aktakuzës, zhvillimet eventuale në hetime dhe vendndodhjen aktuale të të akuzuarit, por, deri në publikimin e këtij lajmi, nuk mori përgjigje.

Gjykata Themelore në Prishtinë ende nuk konfirmoi nëse e ka pranuar aktakuzën dhe në cilën fazë ndodhet procedura gjyqësore.

Rasti i Diana Kastratit është kthyer në një shembull të dështimit institucional në mbrojtjen e grave nga dhuna në Kosovë.

Diana u vra vetëm 22 ditë pasi kishte kërkuar mbrojtje emergjente nga gjykata, e cila nuk kishte vepruar ndaj kërkesës së saj – një mosveprim që Gjykata Kushtetuese më vonë e konstatoi si shkelje të së drejtës për jetë.

Vrasja dhe kërkesa për mbrojtje që mbeti pa përgjigje

Diana Kastrati ishte 27 vjeçe kur u vra më 18 maj 2011, në Prishtinë.

Sipas dokumenteve gjyqësore, ajo ishte qëlluar me armë zjarri në qafë, ndërsa i dyshuar për vrasjen ishte ish-partneri i saj, A.J., me të cilin kishte bashkëjetuar për më shumë se dhjetë vjet dhe kishte një vajzë.

Më 17 janar 2011, Diana kishte paraqitur padi për shkëputjen e bashkësisë jashtëmartesore me A.J., për shkak të përkeqësimit të marrëdhënieve mes tyre, sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2013.

Pas paraqitjes së padisë, ajo ishte zhvendosur bashkë me vajzën te prindërit e saj.

Më 26 prill të atij viti, për shkak të kërcënimeve të pretenduara ndaj saj dhe vajzës, Diana iu drejtua Gjykatës Komunale në Prishtinë, duke kërkuar urdhër për mbrojtje emergjente.

Sipas ligjit në fuqi, gjykata duhej të vendoste për kërkesën brenda 24 orëve.

Por, kërkesa mbeti pa përgjigje.

Vetëm 22 ditë më vonë, Diana u vra.

Mosveprimi i gjykatës u bë më pas objekt i një beteje të gjatë ligjore, të nisur nga prindërit e saj, Gëzim dhe Makfire Kastrati.

Gjykata Kushtetuese konstatoi shkelje të së drejtës për jetë

Në prill të vitit 2012, prindërit e Dianës iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese, duke pretenduar se mosveprimi i Gjykatës Komunale në Prishtinë kishte cenuar të drejtat themelore të vajzës së tyre.

Në shkurt të vitit 2013, Gjykata Kushtetuese u dha të drejtë.

Në aktgjykimin e saj, ajo konstatoi se Gjykata Komunale kishte dështuar të përmbushte detyrimet ligjore për shqyrtimin e kërkesës për mbrojtje emergjente.

Sipas Kushtetueses, ky mosveprim përbënte shkelje të së drejtës për jetë, të garantuar me nenin 25 të Kushtetutës së Kosovës dhe nenin 2 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Gjykata konstatoi gjithashtu shkelje të së drejtës për mjete juridike, të garantuar me nenet 32 dhe 54 të Kushtetutës së Kosovës dhe nenin 13 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Në aktgjykim përmendet edhe një masë disiplinore ndaj gjyqtarit që kishte trajtuar kërkesën e Dianës.

Nga konstatimi i shkeljes te dëmshpërblimi

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, prindërit e Dianës vazhduan përpjekjet për të kërkuar përgjegjësi nga shteti.

Në nëntor të vitit 2013, Gëzim dhe Makfire Kastrati ngritën padi kundër institucioneve përgjegjëse, duke kërkuar kompensim për dëmin jomaterial të shkaktuar nga vrasja e vajzës së tyre dhe mosveprimi i autoriteteve për ta mbrojtur.

Në vitin 2019, Gjykata Themelore në Prizren vendosi që Republika e Kosovës t’u paguante prindërve të Dianës 95 mijë euro dëmshpërblim për vuajtjet shpirtërore.

Megjithatë, pas ankesës së Avokaturës Shtetërore, Gjykata e Apelit e uli shumën e dëmshpërblimit në 30 mijë euro në shkurt të vitit 2023.

Sipas vendimit të Apelit, Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Qeveria e Kosovës u detyruan ta paguanin këtë shumë në mënyrë solidare.

Pse i dyshuari nuk është sjellë para drejtësisë?

Për vite me radhë, pamundësia e ekstradimit të të dyshuarit nga Spanja kishte qenë një nga pengesat kryesore për procedimin e rastit të vrasjes së Diana Kastratit.

Në maj të vitit 2022, organizata QIKA raportoi se Ministria e Drejtësisë dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë kishin konfirmuar se Spanja kishte refuzuar ekstradimin e të dyshuarit në Kosovë.

Sipas QIKA-s, Prokuroria kishte pezulluar hetimet për këtë rast.

Spanja është një nga pesë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Ngritja e aktakuzës tani shënon një zhvillim të ri në rastin që ka mbetur pa epilog penal për 15 vjet.

Ajo, megjithatë, nuk nënkupton shpalljen fajtor të të akuzuarit, i cili prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim gjyqësor të formës së prerë.

IKD: Pengesat për ekstradim nuk duhet ta arsyetojnë pritjen e pakufizuar

Arrita Rezniqi, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), thotë se vonesa prej 15 vjetësh në ngritjen e aktakuzës për vrasjen e Diana Kastratit ngre shqetësime për aftësinë e sistemit të drejtësisë për të vepruar në kohë, ndonëse një pjesë e saj mund të shpjegohet me pengesat për ekstradimin e të dyshuarit nga Spanja.

Sipas saj, institucionet duhet të sqarojnë se çfarë veprimesh kanë ndërmarrë gjatë këtyre viteve për sigurimin e pranisë së të akuzuarit, përfshirë nëse kanë lëshuar fletarrestim ndërkombëtar dhe nëse kanë shfrytëzuar mekanizmat e bashkëpunimit juridik e policor.

Rezniqi përmend ekstradimin e një shtetasi kosovar nga Spanja në gusht të këtij viti, si dëshmi se pengesat politike nuk e përjashtojnë domosdoshmërisht bashkëpunimin mes dy vendeve.

“Pengesat e mëhershme nuk duhet të trajtohen si të pandryshueshme dhe as të shërbejnë si arsyetim për pritje të pakufizuar”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.

Sipas Rezniqit, ngritja e aktakuzës në mungesë mund të jetë mundësuar nga ndryshimet në legjislacionin procedural penal, të cilat krijojnë hapësirë që procedura të ecë përpara edhe kur i pandehuri nuk është i qasshëm për organet e drejtësisë.

Ajo paralajmëron se vonesa të tilla rëndojnë vuajtjet e familjarëve, mund të vështirësojnë administrimin e provave dhe minojnë besimin në institucione.

“Pezullimi i hetimeve nuk duhet të shndërrohet në harresë institucionale”, thekson Rezniqi.

Aktakuza në kohën e një tjetër rasti që tronditi Kosovën

Aktakuza për vrasjen e Diana Kastratit vjen në kohën kur Kosova po përballet me reagime të shumta pas vrasjes së Arlinda Zekajt, më 25 tetor, në Pejë, për të cilën dyshohet ish-kunati i saj.

Edhe Zekaj kishte kërkuar mbrojtje nga institucionet, duke paralajmëruar se jeta e saj ishte në rrezik.

Gjetjet preliminare të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) nxorën në pah një varg lëshimesh në trajtimin e rastit.

Sipas IPK-së, Policia nuk kishte dokumentuar ekzekutimin e një urdhri mbrojtës të lëshuar më 7 shtator, ndërsa një urdhër tjetër, i 16 tetorit, ishte zbatuar me gjashtë ditë vonesë.

Po ashtu, drejtuesit policorë në Pejë nuk kishin trajtuar një kërkesë të hetuesit për rivlerësimin e rrezikut dhe shtimin e masave të sigurisë për Zekajn.

Pas vrasjes, një varg zyrtarësh policorë dhe prokurorësh u pezulluan nga detyra, ndërsa drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, dha dorëheqje më 30 tetor, duke e cilësuar vendimin si akt të përgjegjësisë morale.

Kuvendi i Kosovës ka themeluar edhe një komision hetimor parlamentar për të shqyrtuar veprimet dhe mosveprimet institucionale në këtë rast.

Megjithëse rrethanat e dy vrasjeve janë të ndryshme, të dyja rastet kanë ngritur pyetje për efektivitetin e institucioneve në mbrojtjen e grave që raportojnë dhunë dhe kërkojnë ndihmë.

Rusia e zhvendos luftën përtej frontit – sa e sigurt është Kosova?

Valona Tela

Kosova nuk është në luftë, por kërcënimet që po shqetësojnë Evropën mund të mos e anashkalojnë as atë.

Me mijëra trupa të NATO-s në territorin e saj, tensione të vazhdueshme me Serbinë dhe infrastrukturë kritike që tashmë ka qenë objekt sulmesh, vendi përballet me rreziqe që nuk marrin domosdoshmërisht formën e një përballjeje ushtarake.

Në pjesë të tjera të Evropës, ato janë shfaqur përmes sabotimeve, sulmeve kibernetike dhe operacioneve të fshehta, të cilat janë shtuar që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës, në vitin 2022.

Autoritetet evropiane kanë hetuar një varg incidentesh, disa prej të cilave janë lidhur me shërbimet ruse të inteligjencës.

Në shënjestër kanë qenë rrjetet e transportit, institucionet shtetërore dhe kompanitë që furnizojnë Ukrainën me pajisje ushtarake.

Përmes këtyre veprimeve, Moska – e cila vazhdimisht e mohon përfshirjen – dyshohet se synon të pengojë mbështetjen për Kievin dhe të krijojë pasiguri në vendet perëndimore, pa hyrë në një konflikt të drejtpërdrejtë ushtarak me to.

Sipas një analize të Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS), numri i sulmeve dhe planeve për sulme me pasoja fizike në Evropë, të identifikuara si të lidhura me Rusinë, është rritur nga vetëm tri në vitin 2022 në 34 në vitin 2024.

Rritja e këtyre incidenteve ka nxjerrë në pah edhe vështirësitë e parandalimit të tyre.

Një analizë e Këshillit Atlantik, e publikuar në fillim të tetorit, vlerëson se NATO-ja ka forcuar mbrojtjen ushtarake, por ende ka vështirësi në frenimin e operacioneve që mbeten nën pragun e një konflikti të hapur.

Problemi nuk qëndron vetëm te parandalimi i sulmeve, por edhe tek identifikimi i atyre që qëndrojnë pas tyre dhe përcaktimi i mënyrës së reagimit.

“Përgjigjet e NATO-s dhe të vendeve anëtare kanë qenë kryesisht reaktive dhe mbrojtëse. Ato janë përqendruar në zbulimin dhe kundërshtimin e provokimeve të caktuara, por nuk kanë arritur të dëshmojnë aftësi efektive për t’i frenuar ato”, thuhet në analizë.

Përtej dëmeve materiale, operacionet e tilla mund të krijojnë frikë dhe pasiguri, duke i detyruar autoritetet të reagojnë ndaj incidenteve, përgjegjësit e të cilave shpesh mbeten të paidentifikuar.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, paralajmëroi gjatë një vizite në Talin, muajin e kaluar, se reagimet e tepruara ndaj çdo incidenti mund t’i shërbejnë Moskës.

Ai ritheksoi, njëkohësisht, vendosmërinë e Aleancës për të mbrojtur territorin e vendeve anëtare.

“Ne do të mbrojmë çdo pëllëmbë të territorit të aleatëve, pavarësisht nëse aty jetojnë njerëz apo jo, pavarësisht nëse ndodhet pranë Parisit, Talinit, Uashingtonit apo Otavës”, tha Rutte.

Nga një mesazh në Telegram te një akt sabotimi

Për të kryer një operacion sabotimi, nuk nevojiten domosdoshmërisht agjentë të trajnuar të inteligjencës.

Ndonjëherë, gjithçka mund të nisë me një mesazh në Telegram, një detyrë të thjeshtë dhe një pagesë prej disa qindra eurosh.

Fotografimi i një objekti, mbledhja e informacioneve apo një akt vandalizmi mund t’i besohet një personi pa përvojë, i cili pranon të veprojë kundrejt pagesës.

Kjo është një nga metodat që, sipas ekspertëve, përdorin shërbimet ruse të inteligjencës për të organizuar operacione në territorin evropian.

Kinga Redlowska, studiuese në Institutin Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara (RUSI), shpjegon se përmes kësaj taktike, organizatorët mund të angazhojnë njerëz me kosto të ulët, duke ruajtur distancën nga veprimet që kryhen në terren.

“Rusia përdor një taktikë shumë të lirë, por efektive, duke angazhuar ata që i quajmë agjentë të njëpërdorshëm. Operativët rusë rekrutojnë banorë të vendeve të Bashkimit Evropian ose të Britanisë, shpesh nga grupe të cenueshme, si studentë apo të papunë që kërkojnë të fitojnë para”, thotë Redlowska për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

Detyrat mund të nisin me fotografimin e një objekti ose mbledhjen e informacioneve dhe të përshkallëzohen deri në vandalizëm apo zjarrvënie.

Edhe pagesat varen nga natyra dhe rreziku i detyrës.

“Ekziston pothuajse një listë çmimesh për detyrat. Ndonjëherë shumat janë vetëm 100 ose 200 euro. Për detyra më të mëdha mund të jenë 1.000 euro, ndërsa për misione më të ndërlikuara mund të arrijnë në disa mijëra euro”, thotë Redlowska.

Sipas një studimi të RUSI-t, pagesat kryhen kryesisht përmes kriptovalutave, megjithëse janë dokumentuar edhe transferime bankare dhe pagesa me para të gatshme.

Një mënyrë e tillë organizimi e bën më të vështirë zbulimin e lidhjeve mes atyre që kryejnë sulmet dhe atyre që i urdhërojnë.

Kështu, një incident që në pamje të parë duket i izoluar, mund të jetë pjesë e një operacioni shumë më të gjerë.

Për Alexander Palmerin, nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, synimi i Moskës shkon përtej dëmit që mund të shkaktojë një veprim i vetëm.

“Çdo pengesë apo trazirë në një vend të orientuar drejt Perëndimit shihet si diçka pozitive për Rusinë, edhe nëse ajo nuk përfiton drejtpërdrejt. Mendoj se kjo buron nga një mënyrë të të menduari, sipas së cilës humbja e njërës palë është automatikisht fitore për tjetrën”, thotë Palmer për Exposenë.

Por, për të shkaktuar dëme, nuk është gjithmonë e nevojshme as prania fizike në vendin që synohet të goditet.

Sulmet mund të kryhen edhe nga distanca, përmes sistemeve digjitale.

Gjermania dhe Çekia, për shembull, kanë identifikuar sulme kibernetike që ua kanë atribuuar hakerëve të lidhur me inteligjencën ushtarake ruse.

Në Gjermani, në shënjestër ka qenë Partia Socialdemokrate, ndërsa në Çeki institucionet shtetërore, përmes shfrytëzimit të një dobësie në programin Microsoft Outlook.

Çfarë rrezikon Kosova?

Për Kosovën, kërcënime të tilla nuk janë vetëm çështje e zhvillimeve në pjesë të tjera të Evropës.

Institucionet e saj të sigurisë kanë identifikuar tashmë një varg rreziqesh që mund të shfrytëzohen për destabilizim.

Në dokumentin strategjik SOCTA 2025, Policia e Kosovës përmend operacionet e fshehta, sulmet kibernetike, propagandën dhe përdorimin e grupeve joformale.

Si cenueshmëri identifikohen situata e sigurisë në veri, pakënaqësitë sociale dhe krizat energjetike.

Dokumenti paralajmëron edhe për mundësinë e shtimit të sulmeve kibernetike ndaj institucioneve, bankave dhe mediave, si dhe të përpjekjeve për të nxitur mosbesim ndaj Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara.

Disa prej këtyre rreziqeve kanë marrë formë konkrete në Kosovë qysh më herët.

Në maj të vitit 2024, faqet e internetit të Presidencës, Kryeministrisë dhe disa institucioneve të tjera mbetën përkohësisht të paarritshme pas sulmeve kibernetike.

Incidentet ndodhën pas deklaratave të ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në mbështetje të Ukrainës.

Disa grupe proruse morën përgjegjësinë për sulmet, ndërsa Qeveria e Kosovës fajësoi hakerët rusë.

Megjithatë, përcaktimi i autorëve të një sulmi kibernetik është më i ndërlikuar sesa identifikimi i adresës nga e cila ai kryhet.

Kujtim Gashi, ish-drejtor i Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit në Kosovë, shpjegon se sulmuesit mund të përdorin serverë ndërmjetësues dhe pajisje të komprometuara për të fshehur origjinën.

“Fakti që një sulm vjen nga një IP-adresë apo një infrastrukturë e vendosur në një shtet të caktuar, nuk dëshmon 100 për qind se origjina e atij sulmi vjen po nga ajo adresë apo ai shtet”, thotë Gashi për Exposenë.

Rreziqet për Kosovën nuk kufizohen vetëm në hapësirën digjitale.

Në nëntor të vitit 2024, një shpërthim dëmtoi kanalin e Ibër-Lepencit, nga i cili varen furnizimi me ujë i disa qyteteve dhe nevojat e prodhimit të energjisë elektrike.

Autoritetet kosovare e cilësuan incidentin si sulm terrorist dhe akuzuan Serbinë për përfshirje. Beogradi e mohoi përgjegjësinë.

Për rastin janë ngritur akuza ndaj tre personave.

Megjithatë, nuk janë paraqitur prova publike që ta lidhin atë me shërbimet ruse të inteligjencës apo me operacionet e sabotimit të hetuara në Evropë.

Rasti, sidoqoftë, nxori në pah se çfarë pasojash mund të ketë goditja e një infrastrukture nga e cila varen shërbimet jetike.

Por, a kanë identifikuar institucionet kosovare përpjekje për rekrutim, sabotim apo mbledhje informacionesh rreth objekteve të tilla?

Kjo mbetet e paqartë.

Radio Evropa e Lirë kërkoi përgjigje nga Policia dhe Prokuroria e Kosovës për këto çështje, ndërsa Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit dhe misionit të NATO-s, KFOR, u drejtoi pyetje për kërcënimet kibernetike.

Asnjëri prej këtyre institucioneve nuk u përgjigj deri në publikimin e këtij artikulli.

Ekspertët e sigurisë, ndërkohë, paralajmërojnë se Ballkani Perëndimor ka karakteristika që mund ta bëjnë të cenueshëm ndaj operacioneve destabilizuese.

Palmer vlerëson se Rusia e sheh rajonin si terren të përshtatshëm për to, për shkak të historisë së tij të afërt dhe ndarjeve të brendshme politike.

Ai përmend dyshimet për organizim trazirash, plane për grushte shteti dhe përfshirje të grupeve të armatosura në rajon.

Por, nuk e konsideron domosdoshmërisht praninë e NATO-s si arsyen kryesore që mund ta bëjë Kosovën objektiv.

“Nuk është e qartë për mua nëse prania e bazës së NATO-s është një nga faktorët kryesorë që e bëjnë Kosovën të cenueshme. Mendoj se ky rajon perceptohet si një pjesë më e paqëndrueshme e botës dhe Rusia, sipas meje, ka qasje më të lehtë në vende të tilla, për shkak të historisë relativisht të re të institucioneve dhe ndarjeve të brendshme politike”, thotë Palmer.

Një raport i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, i publikuar në dhjetor të vitit 2025, vlerëson se Rusia e shtrin ndikimin e saj në Kosovë kryesisht përmes lidhjeve me popullsinë serbe dhe shfrytëzimit të tensioneve ndëretnike.

Sipas raportit, dezinformimi, ndërhyrjet politike, sulmet kibernetike dhe presioni ekonomik janë ndër metodat që përdoren për të nxitur përçarje dhe për të penguar integrimin euroatlantik të rajonit.

Sa e përgatitur është Kosova?

Nëse një sulm do të ndërpriste funksionimin e institucioneve apo të shërbimeve jetike në Kosovë, sa shpejt do të mund të riktheheshin ato?

Kjo është një nga pyetjet kryesore që shtrohet për kapacitetet mbrojtëse të vendit.

Një raport i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, i publikuar në gusht të vitit 2026, identifikon dobësi në koordinimin institucional, komunikimin gjatë krizave dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike.

Në skenarin më negativ për vitin 2030, autorët përshkruajnë një Kosovë të përballur me incidente të përsëritura të sigurisë, sabotime, ndërprerje të shërbimeve nga sulmet kibernetike dhe përhapje të dezinformimit.

Ky nuk është një parashikim, por një skenar që ilustron se çfarë pasojash mund të kenë dobësitë ekzistuese nëse nuk adresohen.

Një nga pikat e ndjeshme është infrastruktura digjitale shtetërore.

Qendra Shtetërore e të Dhënave, e administruar nga Agjencia e Shoqërisë së Informacionit, strehon platformën eKosova dhe regjistrat shtetërorë.

Një ndërprerje e rëndë e funksionimit të saj mund të ndikojë në shërbimet që qytetarët dhe institucionet marrin përmes këtyre sistemeve.

Ministria e Digjitalizimit thotë për Radion Evropa e Lirë se qendra ka mekanizma të sigurisë fizike dhe kibernetike.

Por, nuk sqaron se sa kohë do të duhej për rikthimin e shërbimeve kritike pas një ndërprerjeje, e as kur është testuar për herë të fundit një plan i tillë.

Sipas Gashit, Kosova ka kapacitete për mbrojtjen e sistemeve, por mbetet problem mungesa e një infrastrukture rezervë sipas standardeve.

“Kosova nuk e posedon sipas standardeve një qendër shtetërore të rimëkëmbjes së të dhënave në rast të fatkeqësive, apo një ‘disaster recovery center’, e cila mund të shërbejë si infrastrukturë për vazhdimësinë e shërbimeve”, thotë ai.

Ministria e Digjitalizimit konfirmon se një qendër e tillë është ende në fazën e projektimit, në kuadër të një projekti të mbështetur nga Banka Botërore.

Përgatitjet për t’u përballur me kërcënimet kibernetike mbeten të papërfunduara edhe në aspektin ligjor dhe institucional.

Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën, i vitit 2025, konstatoi se vendi ka miratuar tetë nga 14 aktet nënligjore për sigurinë kibernetike dhe kërkoi funksionalizimin e Agjencisë për Siguri Kibernetike dhe Këshillit Kombëtar për Siguri Kibernetike.

Një hap përpara u shënua në gusht, kur ekipi qeveritar GovCERT u akreditua në rrjetin ndërkombëtar Trusted Introducer, i cili mundëson shkëmbimin e informacioneve për kërcënimet dhe incidentet kibernetike mes ekipeve të specializuara në Evropë.

Ky bashkëpunim ka rëndësi të veçantë përballë kërcënimeve që nuk njohin kufij.

Në operacionet e sabotimit të hetuara në Evropë, personat që kryejnë sulmet, ata që i organizojnë dhe burimet e financimit mund të ndodhen në vende të ndryshme.

Prandaj, sipas Redlowskës, një nga mënyrat për t’i zbuluar këto rrjete është ndjekja e rrjedhës së parave.

“Autoritetet duhet të ndjekin gjurmët e parave që në fillim. Pagesat mund të lidhin individë që, në pamje të parë, nuk kanë asnjë lidhje me njëri-tjetrin”, thotë ajo.

Por, kur pagesat kryhen përmes kriptovalutave, hetimi kërkon bashkëpunim edhe përtej kufijve shtetërorë.

“Kriptovalutat nuk njohin kufij. Edhe krimi i organizuar vepron përtej kufijve, ndaj edhe përgjigjja duhet të jetë ndërkufitare. Nuk mund të veprojmë të izoluar, sepse aktet e sabotimit të lidhura me Rusinë janë të shpërndara në gjithë Evropën”, thotë Redlowska.

Sipas saj, ky bashkëpunim duhet të përfshijë edhe sektorin privat, veçanërisht institucionet financiare, të cilat posedojnë informacione që mund të ndihmojnë në identifikimin e lidhjeve mes personave të përfshirë.

Për Kosovën, tabloja mbetet e përzier.

Kërcënimet janë identifikuar, disa mekanizma mbrojtës janë forcuar, por vazhdojnë të evidentohen mangësi në përgatitje dhe të mungojnë përgjigje për kapacitetet e reagimit.

Në një mjedis ku sulmet mund të organizohen nga distanca, me kosto të ulët dhe pa paralajmërim, adresimi i këtyre çështjeve mund të bëjë dallimin.

Prokuroria Speciale: Rama dyshohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare

Radio Evropa e Lirë

Prokuroria Speciale e Kosovës tha se kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, është intervistuar të premten, më 30 tetor, në cilësinë e të pandehurit dhe dyshohet për veprën penale: “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Nga Prokuroria Speciale thanë për Radion Evropa e Lirë se intervistimi i të parit të kryeqytetit të Kosovës u bë në kuadër të hetimeve që po zhvillohen për rastin penal “Arkitekti i Kryeqytetit”.

“Prokuroria Speciale është duke i ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thanë nga Prokuroria Speciale.

Rama u paraqit para Prokurorisë Speciale për intervistim rreth orës 13:30.

Pas intervistimit, ai tha se është i gatshëm të bashkëpunojë me Prokurorinë Speciale për këtë çështje, dhe prandaj edhe u paraqit në Prokurori, duke theksuar se “jemi totalisht transparentë”.

“Puna ime është zhvillimi i kryeqytetit, ndërtimi i kryeqytetit, puna e Prokurorisë është të dijë që çdo gjë po bëhet në bazë të legjislacionit”, u shpreh i pari i Prishtinës.

Avokati i tij, Artan Qerkini, tha për mediat se Rama është i gatshëm të japë sqarimet e nevojshme para organit ndjekës, në mënyrë që Prokuroria “të bindet se çdo gjë në lidhje me këtë projekt ka shkuar sipas ligjit”.

Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit është themeluar më 2022 nga Komuna e Prishtinës gjatë mandatit të Ramës, që parasheh hartimin e projekteve arkitekturore, urbanistike dhe infrastrukturore për Prishtinën.

Komuna kishte hapur një tender të quajtur “Konsulencë për themelimin e Shërbimit të Arkitektit të Kryeqytetit”, me vlerë të parashikuar prej 12 milionë eurosh.

Ky projekt ishte kritikuar nga opozita e kryeqytetit dhe nga organizatat joqeveritare që kishin argumentuar se kishte pasur shkelje.

Më 2024, organizata joqeveritare Demokraci Plus kishte kërkuar nga Komuna e Prishtinës që të anulonte kontratën 12 milionëshe. Kjo organizatë kishte thënë se ishin bërë shkelje gjatë caktimit të komisionit vlerësues të ofertave, pasi në të ishte caktuar një person, që nuk ishte pjesë e Komunës së Prishtinës.

Sipas organizatës, ka dyshime për konflikt interesi pasi, ky anëtar komisioni figuronte si bashkëpunëtor i një prej kompanive fituese, përkatësisht Anarch Sh.P.K. Operatori tjetër fitues ishte Ardi CC L.L.C.

Teksa Rama po intervistohej nga Prokuroria Speciale, shefi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës, Gëzim Sveçla, shkroi në rrjetet sociale se 1 milion e 48 mijë euro i kishte paguar Komuna e Prishtinës për shërbimet e ofruara nga Arkitekti i Kryeqytetit për tetor-nëntor 2023. Ai tha se pagesa ishte bërë për konsulencë.

Ai tha se LVV-ja e kishte denoncuar qysh në fillim Shërbimin e Arkitektit të kryeqytetit.

Kurti për vrasjen e Arlinda Zekajt: Qartazi ka pasur një zinxhir sistemor lëshimesh nga institucionet

Radio Evropa e Lirë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt qartazi shihet se ka pasur një “zinxhir sistemor lëshimesh” nga institucionet përgjegjëse për sigurinë dhe drejtësinë.

Gjatë mbledhjes së ekzekutivit të mbajtur më 28 tetor, Kurti tha se kjo vrasje, e paralajmëruar nga vetë viktima, “nuk kishte se si të përfundonte ndryshe”.

“Kjo e bën edhe më të pafalshme situatën”, tha ai.

Në orët e vona të 27 tetorit, Policia e Kosovës ka arrestuar në Deçan dorasin e dyshuar, kunatin e Zekajt.

Ajo u vra pranë shtëpisë së saj në Vitomiricë të Pejës mbrëmjen e 25 tetorit, pak pasi kishte raportuar në polici dhunë në familje nga ish-bashkëshorti i saj.

Kurti tha se në Kosovë, drejtësia “fatkeqësisht nuk është në mbrojtje të të dobëtit, përkundrazi drejtësia ka dalë në krahun e të fortit”. Sipas tij, drejtësia në Kosovë vazhdon të jetë e shtrembër.

“Republika e Kosovës nuk ka më nevojë për asnjë provë që të konstatojë se është urgjencë kombëtare drejtimi i drejtësisë”, tha ai.

Kurti kujtoi se për rastin e Zekajt, Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Punëve të Brendshme kanë afat deri nesër në orën 18:00 të paraqesin raportet e tyre të detajuara mbi evidencat dhe lëshimet në secilin zinxhir të institucioneve.

Gjatë ditës, është thirrur një protestë për vrasjen e Zekajt, e cila është gruaja e tetë që vritet gjatë këtij viti.

Zekaj kishte kërkuar vazhdimisht ndihmë nga institucionet. Ajo i ishte drejtuar autoriteteve duke thënë se qysh në dhjetor të vitit të kaluar, bashkëshorti i saj, prej të cilit ishte ndarë, e kishte kërcënuar me jetë.

Autoritetet më vonë kishin lëshuar urdhër mbrojtjeje dhe kishin vendosur që përkohësisht kujdestaria e fëmijës së mitur të çiftit t’i kalonte Zekajt.

Autoritetet po ashtu kishin urdhëruar që bashkëshorti të mos i afrohej, teksa kishin vendosur se ajo mund të qëndronte në shtëpinë e përbashkët të çiftit.

Dy ditë para vrasjes, Arlinda Zekaj përmes një letre i ishte ankuar kryeprokurores së Pejës për mënyrën e trajtimit të rastit të saj dhe moszbatimit të vendimit gjyqësor.

Sipas Prokurorisë, prokurori kujdestar vlerësoi se kthimi i menjëhershëm në shtëpi mund t’ia rrezikonte jetën. Ai e udhëzoi të qëndronte te vëllezërit dhe planifikon që kthimi i saj në shtëpi të bëhej me shoqërim policor.

Në ditën e vrasjes, Arlinda Zekaj e bëri denoncimin e fundit për dhunë në familje. Bashkëshorti i saj, prej të cilit ishte ndarë, u ndalua për 48 orë, teksa ajo këmbënguli që në përputhje me vendimin gjyqësor të kthehej në shtëpinë e përbashkët.

E pyetur nëse ndihet e sigurt në shtëpi, duke qenë se aty ndodheshin familjarët e bashkëshortit, ajo e pranoi se siguria e saj mbetej e cenuar, por këmbënguli në të drejtat e saj.

Pak minuta pasi Policia e shoqëroi në shtëpi, Arlinda Zekaj dyshohet se u vra me sëpatë nga kunati i saj.

Vrau ish-kunatën me sëpatë, policia e Kosovës arreston autorin e dyshuar, Albert Sylaj

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se është arrestuar Albert Sylaj, i dyshuar për vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës. 

Sylaj është arrestuar rreth orës 23:40 në Deçan.

Sylaj dyshohet se më 25 tetor me sëpatë vrau Arlinda Zekajn, ish-kunatën e tij. Ai po kërkohej nga policia.

“Pas angazhimeve intensive operative dhe hetimore, si dhe bashkëpunimit me qytetarët, është lokalizuar dhe arrestuar personi i dyshuar, Albert Sylaj, i cili ishte në kërkim lidhur me rastin “vrasje e rëndë” të ndodhur më 25 tetor 2026, në fshatin Vitomiricë të Pejës. Arrestimi është realizuar sonte, rreth orës 23:40, në Deçan, pas veprimeve të ndërmarra nga njësitet përkatëse policore”, ka njoftuar Policia e Kosovës. Panorama

Seanca për vrasjen e Arlinda Zekajt, Kurti kërkon veprime konkrete brenda 72-orëve nga ministria Brendshme dhe e Drejtësisë: Të zbardhet çdo dështim institucional

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për vrasjen e Arlinda Zekajt, ka thënë se e dënon ashpër këtë krim duke kërkuar zbardhjen e çdo përgjegjësie.

Kurti u shpreh se e mbështet iniciativën për themelimin e një komisioni parlamentar që heton dhe zbardhë çdo dështim të mundshëm institucional për këtë rast, ndërsa propozoi edhe dy ndërhyrje për Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Ministrinë e Drejtësisë.

“Edhe unë i bashkangjitem kësaj iniciative dhe propozoj dy ndërhyrje konkrete – të ngarkoj Ministrinë e Punëve të Brendshme që përmes strukturave kompetente të Policisë të organizojë brenda 72 orëve rishikimin urgjent të rasteve aktive me rrezik të lartë. Për secilin rast të dokumentohen masat e sigurisë, zyrtari përgjegjës për ndjekjen e tyre dhe bashkërendimi me institucionet përkatëse, qendrore dhe lokale përfshirë zbatimin policor të udhrave mbrojtës dhe reagimin ndaj alarmeve të mbikëqyrjes elektronike. Gjithashtu brenda 72 orëve, Ministria e Drejtësisë të vijë me një raport të detajuar që zbardh gjithë reagimin apo mosreagimin e secilës hallkë të zingjirit institucional në këtë rast”, ka thënë Kurti.

Kurti ka theksuar se vrasjet e grave në Kosovë janë edhe si pasojë e mendësisë së patriarkalizmit.

Ai është shprehur se nga kjo mendësi nuk përjashtohen as institucionet. Sipas tij kjo është arsye pse duhen hetuar hetuesit dhe pse kur kemi të bëjmë me gjykatësit na duhet të mendojmë se kush do t’i gjykojë ata.

“Dukuria e vrasjes së grave është pasojë e mendësisë së patriarkalizmit që fatkeqësisht nuk i përjashton as institucionet, ku ushqen neglizhencën dhe mosveprimin përballë dhunës ndaj grave. Kjo është arsyeja pse kur të hetojmë duhet t’i hetojmë edhe hetuesit, kur të presim prej prokurorëve do të na duhet t’i akuzojmë edhe ata, e kur kemi të bëjmë me gjykatësit do të na duhet të mendojmë edhe kush do t’i gjykojë ata. Sivjet janë vrarë tetë gra, na duhet një debat publik për mënyrën se si shoqëria dhe shteti i trajton gratë që kërkojnë shkurorëzim, pavarësi dhe të drejtën e tyre në pronë e trashëgimi.

Për bindjen time të fuqishme ky është thelbi. Ne e kemi një raport të vështirë me shkurorëzimin dhe barazinë gjinore kur vije puna tek trashëgimia dhe pronësia. Duhet të flasim për mënyrën se si kërkesat legjitime të grave për të drejtat e tyre shndërrohen në burim konflikti. Si normalizohet kontrolli mbi jetën dhe vendimet e tyre dhe si në vend që të mbështeten, ato shpesh lihen të përballen të vetme me dhunën dhe institucionet që dështojnë t’i mbrojnë”, ka deklaruar Kurti.

Kurti ka thënë se duhet ofruar gatishmëria nga të gjithë për të kundërshtuar mendësinë e cila vlerën e gruas e mat me nënshtrimin e saj.

“Çdo shkelje duhet të zbardhet dhe çdo përgjegjësi të trajtohet sipas ligjit. Vrasja e saj na detyron të kërkojmë përgjegjësi në çdo hallkë institucionale dhe ta shqyrtojmë ndërgjegjen tonë shoqërore çfarë po mbrojmë kur në emër të familjes kërkojmë heshtjen e gruas, kur në emrin e nderit gjykojmë zgjedhjet e saj, kur durimin përballë dhunës ja njohim si virtyt ndërsa kundërshtimin ia ngarkojmë si faj. Një shoqëri nuk mund ta quaj vlerë atë që ruhet duke cenuar dinjitetin dhe jetën e një njeriu. E dënoj ashpër këtë krim. Për Arlindën kërkoj drejtësi dhe zbardhjen e çdo përgjegjësie. Nga të gjithë ne kërkoj gatishmërinë për ta kundërshtuar atë mendësi që ende e mat vlerën e gruas me nënshtrimin e saj. Për ta kundërshtuar këtë mendësi duhet të jemi të qartë për atë që e bën një vlerë të denjë për t’u mbrojtur – respekti për dinjitetin njerëzor”, ka thënë Kurti./Koha.net

Kuvendi miraton rezolutë për hetimin e vrasjes së Arlinda Zekajt dhe parandalimin e dhunës ndaj grave

Radio Evropa e Lirë

Kuvendi i Kosovës e ka miratuar të hënën vonë një rezolutë që bën thirrje për hetim parlamentar të vrasjes së një gruaje 49-vjeçare një ditë më parë në Pejë, e cila ishte ankuar vazhdimisht tek organet e drejtësisë për dhunë në familje, si dhe për krijimin e mekanizmave për parandalimin e dhunës ndaj fëmijëve, grave dhe anëtarëve të tjerë të familjes.

Rezoluta u miratua me 67 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, në një seancë të jashtëzakonshme e cila u mbizotërua kryesisht nga akuza e kundër akuza mes pushtetit dhe opozitës se kush mban përgjegjësinë për rastet e vrasjeve nga dhuna në familje në vend.

Ajo vjen pasi Arlinda Zekajt nga Vitomirica e Pejës u vra të dielën në mbrëmje në shtëpinë e vet. Zekaj dyshohet se u vra nga kunati i vet, i cili ndodhet në arrati.

Tri ditë para se të vritej, Zekaj kishte kërkuar veprime urgjente nga institucionet për shkak të, siç thoshte, dështimeve në trajtimin e rasteve të saj, përfshirë zbatimin e një vendimi gjyqësor për shfrytëzimin e shtëpisë së përbashkët me ish-bashkëshortin.

Më 25 tetor, disa orë para vrasjes, ajo kishte raportuar sërish dhunë në familje, pas së cilës ish-bashkëshorti i saj ishte arrestuar dhe ndaluar për 48 orë. Atë mbrëmje, Zekaj ishte kthyer në shtëpinë e vet në Vitomiricë, e shoqëruar nga policia, por rreth orës 21:00 dyshohet se u vra nga kunati i saj.

Një ditë para vrasjes, Prokuroria kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-bashkëshortit të saj për kanosje në marrëdhënie familjare.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, tha se i dyshuari për vrasjen kishte “dosje të rëndë” në polici, pa shpjeguar se për çfarë të kaluar kriminale bëhej fjalë.

Zekaj është gruaja e tetë e vrarë nga familjarët deri tani këtë vit në Kosovë dhe e 67-ta që nga viti 2010.

Çfarë kërkon rezoluta?

Rezoluta i kërkon Kuvendit ta themelojë një komisioni hetimor parlamentar për zbardhjen e përgjegjësive institucionale dhe veprimeve apo mungesës së tyre lidhur me vrasjen e Zekajt.

Hetimi, sipas saj, duhet ta përfshijë të gjithë zinxhirin institucional për parandalimin dhe trajtimin e dhunës në familje, dhunën ndaj fëmijëve dhe grave, mbrojtjen e jetës dhe sigurisë së tyre, si dhe hetimin, ndjekjen penale dhe ndëshkimin e kryerësve.

Ajo i bën thirrje gjithashtu komisionit ta shqyrtojë trajtimin e denoncimeve, kërkesave për ndihmë dhe paralajmërimeve për rrezikun ndaj jetës së viktimave dhe vlerësimin e rrezikut.

Rezoluta, me 14 pika, ndër të tjera kërkon Ministrisë së Brendshme që brenda 72 orëve ta bëjë rishikimin urgjent të rasteve aktive me rrezik të lartë për dhunë në familje, përfshirë zbatimin policor të urdhrave mbrojtës. Kjo pikë ishte kërkesë e kryeministrit Albin Kurti, e cila u fut në rezolutë pas fjalimit të tij në Kuvend.

Përmes saj, Kuvendi gjithashtu i dënoi “pa ekuivok dorasit, nxitësit dhe ata që tolerojnë, nxisin, përkrahin apo relativizojnë dhunën ndaj fëmijëve grave dhe anëtarëve të tjerë të familjes”.

Vetëm 67 deputetë ishin të pranishëm kur u votua rezoluta, me shumicën e deputetëve opozitarë që braktisën sallën pas një debati shumorësh që përfundoi në akuza të ndërsjella mes pushtetit dhe opozitës se kush barte fajin.

Shumicë deputetë opozitarë kërkuan nga ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, të japin dorëheqje pas vrasjes së Zekajt, e cila është gruaja e tetë që vritet ketë vit në Kosovë. Për të gjitha këto vrasje të dyshuar janë, qoftë bashkëshortët, apo familjarët. Që të dy hodhën poshtë këto kërkesa.

Gërvalla tha se nuk do të japë dorëheqje, duke thënë se Zekaj “nuk i është drejtuar Qeverisë, unë nuk mund të shkarkoj prokurorë apo gjyqtarë”.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila vjen nga partia në pushtet, i mbrojti që të dy ministrat, duke thënë se “ata nuk kanë faj” për dështimin e gjykatave, prokurorëve dhe policisë.

Deputetë të tjerë u përpoqën të këshillojnë zgjidhje për parandalimin e dhunës në familje, si Emilija Rexhepi dhe Arben Gashi.

Rexhepi, nënkryetare e Kuvendit nga Partia e Re Demokratike nga radhët e komunitetit boshnjak, tha se është e domosdoshme të ndryshohet vetëdija shoqërore të qytetarëve dhe edukimi i tyre për ta parandaluar dhunën.

“Në Radiotelevizionin publik të Kosovës (RTK) dhe në shumë televizione private, një pjesë e madhe e programeve u kushtohet programeve politike dhe analiza të ndryshme të disa individëve, ndërsa programet edukative për të drejtat e grave dhe barazisë gjinore dhe parandalimi i dhunës mungojnë”, tha ajo, duke bërë thirrje që brezat e rinj të edukohen nga shteti për respektimin e të drejtave të njeriut dhe barazisë.

“Kjo duhet të shkojë në zinxhir, nga familja deri në institucione”, tha ajo.

Arben Gashi tha se vendi duhet të përqendrohet tek parandalimi dhe jo tek komisionet hetimore.

“Unë propozoj të ndërtohet një sistem. Një institucion, që mund të quhet agjenci apo sido; agjenci shtetërore për parandalimin e dhunës në familje, e cila duhet të ketë disa shtylla”, tha ai.

“Edukimi i fëmijëve brenda familjes dhe në shkolla për parandalimin e dhunës në familje, si dhe trajnimi i policëve, gjyqtarëve dhe prokurorëve për trajtimin dhe parandalimin e saj. Krijimi i një komponenti që merret me trajtimin psikologjik, ekonomik dhe social të viktimave të dhunës në familje. Sanksionimi me ligj i kompetencës së gjykatës për të urdhëruar largimin e viktimës së dhunës në familje, së bashku me fëmijët, nga shtëpia dhe strehimin e tyre në një vend të sigurt, automatikisht pas raportimit të rastit”, tha Gashi.

Rezoluta u propozua nga Lëvizja Vetëvendosje në pushtet dhe u përkrah nga Lidhja Demokratike në opozitë, në seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga kjo e para.

Nenad Rashiq: Nuk pres që Lista Studentore të ndryshojë publikisht qëndrimin për Kosovën

Sandra Cvetkoviq

Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, pret që pas fitores së Listës Studentore në Serbi të rifillojë dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës për normalizimin e marrëdhënieve dhe që të dyja palët të përqendrohen në integrimet evropiane.

“Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është pjesë e agjendës evropiane. Pres që kjo të jetë një ndër temat e para kur të formohet Qeveria e re në Serbi. Të rifillojë dialogu që ka ngecur prej një kohe”, thotë Rashiq për Radion Evropa e Lirë.

Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian që nga viti 2011, por kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e kushtëzon vazhdimin e tij në nivel të lartë politik me ekstradimin nga Serbia të Millan Radoiçiqit, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë.

Lista Studentore deri më tani nuk është deklaruar për Banjskën apo Radoiçiqin.

Qëndrimi i kësaj lëvizjeje politike, të dalë nga protestat studentore kundër korrupsionit në mbarë Serbinë, është se, sipas Kushtetutës, Kosova është pjesë përbërëse e Serbisë dhe se ajo do të veprojë në përputhje me të.

Para zgjedhjeve, disa kandidatë të Listës Studentore paralajmëruan se, ndër të tjera, do t’i rishqyrtojnë marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut me Kosovën.

Sipas vlerësimeve preliminare, Lista Studentore ka fituar 52,65 për qind të votave, ndërsa Serbia e Bashkuar e ish-presidentit Aleksandar Vuçiq ka fituar 39,22 për qind.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Qeverisë së Kosovës me kërkesën për ta komentuar fitoren e Listës Studentore në Serbi, por ende është në pritje të përgjigjes.

Rashiq, nga ana tjetër, thotë se nuk mund të pritet që Lista Studentore të deklarohet publikisht kundër Kushtetutës së vendit të vet kur bëhet fjalë për Kosovën.

“Cili përfaqësues politik apo pjesëtar i një lëvizjeje më të gjerë politike do të thoshte se nuk do ta respektojë ligjin dhe Kushtetutën? Kjo quhet ‘të luash në të sigurt’, kur nuk ke informacion të mjaftueshëm për t’u marrë më thellësisht me një temë. Por, përgjigjja qëndron te fakti se Lista Studentore është shprehur edhe në mbështetje të integrimeve evropiane”, thekson Rashiq.

Si përfaqësues politik i serbëve të Kosovës, Rashiq pret gjithashtu që të ndalet “keqpërdorimi” i parave dhe burimeve të tjera që vijnë nga Serbia.

Ai shpreson që pushteti i ri në Serbi të mos “ushtrojë presion” ndaj pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë, siç, sipas vlerësimit të tij, ka bërë Partia Përparimtare Serbe përmes Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë, të formuar me mbështetjen e Aleksandar Vuçiqit.

Në zgjedhjet e fundit në Kosovë, Lista Serbe fitoi nëntë nga dhjetë mandatet e rezervuara në Kuvend për komunitetin serb, ndërsa një mandat e fitoi partia Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë e Nenad Rashiqit.

Lista Serbe nuk është deklaruar pas fitores së Listës Studentore në zgjedhjet e së dielës.

Vrasja e Arlinda Zekajt: Prokuroria thotë se e udhëzoi të shkojë në shtëpinë e vëllezërve

Radio Evropa e Lirë

Tri ditë para vrasjes së Arlinda Zekajt, prokurori kujdestar kishte vlerësuar se kthimi në shtëpi mund t’ia rrezikonte jetën. Këtë e bëri të ditur Prokuroria Themelore në Pejë më 26 tetor.

Sipas saj, prokurori dhe hetuesit kishin planifikuar që një patrullë policore të qëndronte pranë shtëpisë gjatë kthimit të Zekajt.

Zekaj dyshohet se u vra nga kunati i saj më 25 tetor, me goditje me një mjet të fortë. Sipas Prokurorisë, ajo sapo ishte kthyer në shtëpi e shoqëruar nga policia.

Ajo ishte kthyer në shtëpi pas raportimit të dhunës në familje, me ç’rast ishte arrestuar dhe ndaluar ish-bashkëshorti i saj.

Më 22 tetor, Zekaj i ishte ankuar kryeprokurores së Pejës, Lumturije Vuçetaj për dështime në trajtimin e rasteve të saj. Ajo kishte kërkuar edhe zbatimin e një vendimi gjyqësor për shfrytëzimin e shtëpisë së përbashkët me ish-bashkëshortin.

Një ditë më pas, Prokuroria kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-bashkëshortit të saj për kanosje në marrëdhënie familjare.

Pas vrasjes, Kryeprokurori i Shtetit kërkoi të hënën raport të detajuar dhe analizë të rastit. Ai kërkoi të sqarohej “nëse kishte lëshime dhe përgjegjësi institucionale apo individuale”.

Me kërkesë të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, sot në orën 16 pritet të mbahet një seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit në lidhje me vrasjen e Zekajt.

Si u vra Arlinda Zekaj?

Zekaj dyshohet se u vra nga kunati i saj në Vitomiricë të Pejës më 25 tetor, rreth orës 21:00.

Më herët atë mbrëmje, Zekaj kishte raportuar dhunë në familje. Sipas Prokurororisë, ish-bashkëshorti i saj, J.S., ishte ndaluar për 48 orë. Ndaj tij ishte iniciuar procedurë për mospërfillje të gjykatës.

Ndërkohë Zekaj ishte kthyer në shtëpinë e përbashkët me ish-bashkëshortin siç tha Policia “me vullnetin e saj”.

Pak më vonë, Zekaj u konstatua e vrarë nga goditjet me një mjet të fortë.

Njoftimi i fundit i Prokurorisë së Pejës nuk sqaron nëse policia kishte qëndruar pranë shtëpisë pas kthimit të saj atë mbrëmje. I dyshuari për vrasjen, kunati i saj A.S., ende gjendet në arrati.

Sipas Prokurorisë, Zekajt i ishte ofruar mundësia të shkonte në një strehimore, por ajo kishte refuzuar, duke kërkuar të kthehej në shtëpinë e përbashkët, ku ndodheshin djali dhe pasuria e saj.

Kryeprokurori i Shtetit në Kosovë gjatë ditës kërkoi raport të detajuar dhe analizë për të parë “nëse kishte lëshime dhe përgjegjësi institucionale apo individuale” në trajtimin e rastit.

Për vrasjen reagoi edhe presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, e cila kërkoi “hetim urgjent, të plotë dhe të paanshëm për vrasjen”.

“Duhet të sqarohet nëse janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për vlerësimin e rrezikut dhe mbrojtjen e saj”, tha ajo.

Të paktën 67 gra janë vrarë në Kosovë që nga viti 2010. Në shumicën e rasteve, autorë të vrasjeve ishin bashkëshortët.

Viktima ishte ankuar për dështime institucionale tri ditë para vrasjes

Arlinda Zekaj kishte kërkuar veprime urgjente ndaj zyrtarëve të institucioneve përgjegjëse tri ditë para se të vritej.

Prokuroria Themelore në Pejë njoftoi më 26 tetor se kryeprokurorja Lumturije Vuçetaj kishte pranuar një kërkesë nga viktima më 22 tetor, me pretendime për dështime në trajtimin e rasteve të saj, përfshirë zbatimin e një vendimi gjyqësor.

Sipas Prokurorisë, Gjykata kishte urdhëruar më 16 tetor që ish-bashkëshorti i Zekajt ta lejonte atë të kthehej dhe ta shfrytëzonte shtëpinë e përbashkët. Ishte lëshuar edhe një urdhër mbrojtjeje gjashtëmujor, që kishte hyrë në fuqi menjëherë.

Zbatimi i urdhrit dhe njoftimi i Gjykatës për pengesat eventuale, sipas njoftimit, ishin përgjegjësi e Policisë.

Prokuroria tha se, kur Zekaj kishte kërkuar kthimin në shtëpi, prokurori kujdestar kishte vlerësuar se kthimi i menjëhershëm mund të paraqiste rrezik për jetën dhe sigurinë e saj. Ai kishte kontaktuar vëllezërit e viktimës dhe kishte udhëzuar që ajo të qëndronte te ta.

Pas bisedimeve, sipas Prokurorisë, Zekaj kishte pranuar të shkonte te familjarët, por kishte kërkuar që të nesërmen një patrullë policore ta shoqëronte për t’u kthyer në shtëpi.

Prokurori dhe hetuesit kishin vendosur që, gjatë kthimit të planifikuar, një patrullë të qëndronte pranë shtëpisë. Këto veprime, sipas njoftimit, ishin dokumentuar në një procesverbal të 22 tetorit, për të cilin ishte kërkuar të njoftohej edhe gjyqtari i çështjes.

Prokuroria bëri të ditur gjithashtu se më 23 tetor kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-bashkëshortit të Zekajt për kanosje në kuadër të marrëdhënies familjare.

Njoftimi nuk sqaron nëse policia kishte qëndruar pranë shtëpisë pas kthimit të viktimës më 25 tetor.

Lidhur me pretendimet e Zekajt për dështime institucionale, Prokuroria tha se kryeprokurorja kishte iniciuar rast për të hetuar nëse veprimet ose mosveprimet e zyrtarëve përmbanin elemente të veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Kërkesa e saj u ishte përcjellë për trajtim urgjent edhe Policisë, Gjykatës Themelore në Pejë, institucioneve të mirëqenies sociale dhe Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave.

Ndërkohë, Kryeprokurori i Shtetit autorizoi koordinatorin nacional për rastet e dhunës në familje që të analizojë të gjitha veprimet e ndërmarra në trajtimin e rasteve ku Zekaj kishte qenë viktimë.

Nga kryeprokurorja e Pejës, Lumturije Vuçetaj, është kërkuar raport i detajuar për kronologjinë e rasteve, prokurorët që i trajtuan, vendimet dhe veprimet e ndërmarra, përfshirë trajtimin e kërkesës së 22 tetorit.

Inspektoratit Policor të Kosovës i është kërkuar të hetojë dhe verifikojë mënyrën se si policia i kishte trajtuar raportimet e Zekajt.

Kosova ndryshoi legjislacionin më 2023 për t’u dhënë përparësi hetimit dhe gjykimit të rasteve të dhunës në familje, ndërsa në dhjetor 2024 lansoi sistemin e mbikëqyrjes elektronike, që synon edhe mbrojtjen e viktimave.

Megjithatë, përfaqësuese të organizatave për drejtësi dhe të drejtat e grave i thanë REL-it në gusht se sfidë mbeten monitorimi i rasteve të raportuara, reagimi ndaj rrezikut dhe zbatimi i masave mbrojtëse.

Ato kërkuan edhe llogaridhënie institucionale në rastet kur gratë vriten pasi kanë kërkuar ndihmë.

Vrasja e Arlinda Zekajt, Kuvendi pritet të mbajë seancë të jashtëzakonshme sot

Valon Fana

Sot Kuvendi i Kosovës pritet të mbajë një seancë të jashtëzakonshme pas rastit tragjik në Pejë, ku Arlinda Zekaj dyshohet se u vra nga kunati i saj.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Vigan Qorrolli.

Ndërsa, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka thënë se tashmë ka nisur mbledhja e nënshkrimeve për thirrjen e seancës.

“Vrasja e gruas në Vitomiricë të Pejës, e cila tri ditë më parë kishte paralajmëruar institucionet për rrezikun ndaj jetës së saj, është një tragjedi që kërkon drejtësi dhe përgjegjësi institucionale” – ka thënë Nagavci në Facebook më 26.10.2026.

“Si Grup Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, kemi nisur menjëherë mbledhjen e nënshkrimeve për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës, që të mbahet sot. Si hap të parë, do të kërkojmë themelimin e një komisioni hetimor parlamentar për të hetuar të gjithë zinxhirin e përgjegjësisë në këtë rast dhe për të zbardhur veprimet dhe mosveprimet e institucioneve” – ka deklaruar ajo.

Vrasja e Arlinda Zekajt ka ngjallur shumë reagime. Presidentja e vendit, Justina Shiroka-Pula, kërkoi të hetohet rasti në detaje, ndërsa hetim kërkoi edhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu.

Arlinda Zekaj dyshohet se u vra mbrëmë, më 25.10.2026, në fshatin Vitomiricë të Pejës nga kunati i saj. Në një reagim, Policia e Kosovës tregoi se viktima rreth orës 19:00 kishte raportuar një rast për dhunë në familje.

Sipas forcave të rendit, bashkëshorti i saj ishte ndaluar për 48 orë, ndërsa policia deklaroi se me vullnetin e saj, viktima ishte dërguar në shtëpinë e saj në fshatin Vitomiricë.

Vetëm disa orë më vonë, policia ishte njoftuar për vdekjen e Arlinda Zekajt.

“Sot, rreth orës 19:00, Stacioni Policor në Pejë është njoftuar për një rast të dhunës në familje, i cili ka ndodhur në fshatin Vitomiricë, në Pejë. Viktima është shoqëruar në stacionin policor, ku është intervistuar” – thuhet në reagimin e Policisë së Kosovës.

“Po ashtu, është arrestuar dhe intervistuar edhe personi i dyshuar (bashkëshorti i viktimës), i cili është ndalur në mbajtje për 48. Viktima, me vullnetin e saj, është dërguar në shtëpinë e saj në fshatin Vitomiricë. Rreth orës 21:10, jemi njoftuar se e njëjta është gjetur pa shenja jete” – thuhet në njoftim.

Por, pretendimet e policisë i ka kundërshtuar avokatja e Arlinda Zekajt, Adelina Hoxha. Ajo tha se kthimi i viktimës në shtëpinë e saj ishte pa vullnetin e së ndjerës.

“Nuk e di a duhet policia me pas kujdes kur jep prononcime ‘a me i arsyetu patjetër zyrtarët e vet!!!! Nuk ka qenë vullneti i viktimës!!! Kryeprokurorisë së Shtetit do t’i dorëzohen të gjitha. Së paku kontrollone deklaratën e viktimës në polici gjysë ore para se mu vra… e shumë tjera” – deklaroi avokatja Adelina Hoxha.

Adelina Hoxha – Facebook

Shënim: Më 26.10.2026, në ora 11:34, është ndërhyrë në titull të artikullit.

“515 pushkë më shumë për sigurinë”- Kurti: Mbi 1 miliard euro për ushtrinë, synojmë anëtarësimin në NATO

Forcës së Sigurisë së Kosovës i janë shtuar 515 ushtarë të rinj, të cilët u betuan në kazermën “Adem Jashari”. Në ceremoninë e organizuar për këtë rast, kryeministri Albin Kurti deklaroi se qeveria synon të investojë mbi 1 miliard euro në ushtri gjatë mandatit aktual.

Sipas Kurtit, kjo është gjenerata më e madhe e rekrutëve në historinë e FSK-së. Ai e përshkroi zgjerimin e radhëve të saj si “515 pushkë më shumë për sigurinë e vendit” dhe si një garanci shtesë për mbrojtjen e lirisë dhe paqes.

Kryeministri tha se forcimi i kapaciteteve mbrojtëse mbetet ndër angazhimet kryesore të qeverisë, duke e lidhur atë me ruajtjen e sovranitetit, integritetit territorial dhe sigurisë së qytetarëve.

Duke paraqitur bilancin e investimeve, Kurti deklaroi se buxheti i ushtrisë u trefishua gjatë mandatit të kaluar, ndërsa blerjet e armatimit kanë kaluar vlerën e 430 milionë eurove. Ai përmendi dronët Bayraktar dhe Skyguard, si dhe mbi 40 lloje armatimi të rëndë e të lehtë, që sipas tij përmbushin standardet e NATO-s.

Kurti bëri të ditur gjithashtu se janë rekrutuar 3220 ushtarë të rinj, duke e çuar numrin e pjesëtarëve të forcës në më shumë se dyfishin. Një tjetër gjeneratë pritet të nisë trajnimin brenda këtij viti.

Sipas tij, ky ritëm po mundëson arritjen dy vjet më herët të kapaciteteve ushtarake të planifikuara për vitin 2028.

“Synimi ynë është i qartë: t’i dalim zot atdheut e ushtria jonë të bëhet pjesë e NATO-s”, u shpreh Kurti.

Në fjalën drejtuar ushtarëve të rinj, ai kujtoi sakrificën e brezave për lirinë e Kosovës dhe theksoi përgjegjësinë që ata marrin për mbrojtjen e vendit. bw

Kurti: BE t’i japë Kosovës statusin e vendit kandidat

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që të marrë vendim për aplikimin e Kosovës për anëtarësim, t’i japë statusin e vendit kandidat dhe të hapë negociatat për anëtarësim.

Në fjalimin e tij në seancën plenare të Samitit të 13-të të Procesit të Berlinit, që po mbahet në Mal të Zi, e të cilin e ka bërë publik në rrjetet sociale, Kurti ka thënë se Kosova është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që ende nuk e ka këtë status.

“Ne kemi bërë atë që na përkiste vetëm neve të bënim. Aplikimi i Kosovës po pret, që nga dhjetori i vitit 2022, për një vendim që i përket ekskluzivisht BE-së. Deri atëherë, mbetemi i vetmi shtet në Ballkanin Perëndimor pa statusin e vendit kandidat”, deklaroi Kurti.

Ai u bëri thirrje liderëve evropianë që të kërkojnë opinionin e Komisionit Evropian për aplikimin e Kosovës dhe të avancojnë procesin e integrimit të saj.

Sipas Kurtit, blerja e stabilitetit në kurriz të demokracive fqinje është dëshmuar mit i rrezikshëm, sepse, siç tha, ata që krijojnë jostabilitet nuk mund të garantojnë stabilitet.

Kryeministri tha se Kosova i qëndron vlerave demokratike të Bashkimit Evropian dhe se vlerësimet e pavarura e rendisin ndër vendet me përparimin më të madh demokratik në Evropën Juglindore.

Ai theksoi se Kosova i ka zbatuar të gjitha sanksionet e BE-së kundër Rusisë që nga dita e parë, duke nënvizuar orientimin evropian të vendit.

Kurti foli edhe për përfitimet që sjell integrimi gradual në tregun evropian, duke përmendur anëtarësimin në SEPA, lehtësimin e tregtisë përmes korridoreve të gjelbra dhe uljen e kostove të komunikimit përmes nismës “Roam Like at Home”.

Sipas tij, SEPA pritet t’u kursejë qytetarëve të Kosovës dhe mërgatës rreth 58 milionë euro në vit.

Në fjalimin e tij, Kurti u ndal edhe te siguria në rajon, duke përmendur sulmin terrorist në Banjskë, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, si dhe shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë.

Ai tha se sulmet ndaj infrastrukturës kritike dhe institucioneve demokratike duhet të trajtohen si çështje që prekin sigurinë e gjithë Evropës.

Kurti përmendi Milan Radoiçiqin, të cilin e cilësoi përgjegjës për sulmin në Banjskë, duke thënë se ai vazhdon të jetë i lirë dhe i mbrojtur nga aparati shtetëror serb.

“Sulmi ndaj një demokracie evropiane është sulm ndaj gjithë Evropës dhe meriton përgjigje kolektive, sepse reagimi që ndërtohet rast pas rasti nuk është parandalues. Për Kosovën anëtarësimi në NATO sjell edhe parandalimin”, tha Kurti.

Kryeministri kërkoi gjithashtu vëmendjen e vendeve pjesëmarrëse në Procesin e Berlinit për të drejtat e pakicave në rajon, duke veçuar pozitën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Ai tha se shqiptarët në këtë pjesë të Serbisë po shtyhen gradualisht jashtë institucioneve dhe jetës publike, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë qëndrimin e tyre në vendlindje.

Kurti theksoi se dinjiteti njerëzor dhe të drejtat e njeriut duhet të jenë ndër vlerat themelore që ndajnë vendet e rajonit dhe Bashkimi Evropian.

Në përfundim, ai vlerësoi rëndësinë e Procesit të Berlinit si një mekanizëm bashkëpunimi rajonal dhe si një mundësi për avancimin e integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor./ RTK.

Bedri Hamza jep dorëheqje të parevokueshme si Kryetar i PDK-së: Nuk po largohem nga partia, po largohem vetëm nga pozita e kryetarit

KOSOVË- Kryetari Bedri Hamza ka njoftuar sot Kryesinë e PDK-së për dorëheqjen e tij të parevokueshme nga udhëheqja e partisë. Hamza pohoi se ky vendim i hap rrugë një procesi të ri zgjedhor brenda PDK-së, përmes të cilit anëtarët do të vendosin për drejtimin e ardhshëm të partisë, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes më të madhe të të rinjve dhe mundësive që ata të marrin përgjegjësi.

Sipas tij përgjegjësitë që ka marrë nga viti 2020, pas dërgimit në Hagë të ish-udhëheqësve të PDK-së, përfshirë kandidimin për Kryetar të Mitrovicës, kandidimin tri herë radhazi për kryeministër dhe udhëheqjen e partisë, i ka marrë për shkak të përgjegjësisë ndaj PDK-së e Kosovës dhe jo nga ambiciet personale.

Gjatë fjalës së tij ai shtoi se gjatë udhëheqjes është përqendruar në ruajtjen e unitetit të partisë, strukturave të saj dhe besimit të anëtarëve e të votuesve.

“Nuk po largohem nga PDK-ja. Po largohem vetëm nga pozita e kryetarit, por jo edhe nga besimi në vlerat tona politike. Derisa të kem jetë, do të jem votues besnik i Partisë Demokratike të Kosovës dhe anëtar i kësaj familjeje të madhe politike”, tha ai.

Hamza foli edhe për vendimin e Dhomave të Specializuara ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, duke shprehur zhgënjimin e tij me padrejtësinë në Hagë dhe duke theksuar për më tepër se përpjekjet për drejtësi, zbardhjen e së vërtetës dhe kthimin e tyre pranë familjeve dhe Kosovës do të vazhdojnë.

Në mbyllje të deklaratës së tij Kryetari Hamza falenderoi të gjithë anëtarët, strukturat dhe mbështetësit e PDK-së për besimin dhe përkrahjen e vazhdueshme duke theksuar se interesi i partisë dhe i vendit duhet të jetë gjithmonë mbi interesin personal./Dosja.al 

Kurti: Serbia ende s’ia ka dorëzuar Kosovës dokumentacionin kadastral

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Serbia ende nuk ia ka dorëzuar Kosovës dokumentacionin kadastral, pavarësisht marrëveshjes së vitit 2011 dhe mbështetjes financiare të Bashkimit Evropian.

Kryeministri Kurti, këtë çështje e ka ngritur gjatë pjesëmarrjes në ceremoninë përmbyllëse të projektit PIAKOS, të organizuar nga Qendra për Avokim dhe Trajnim (ATRC) dhe Banka Botërore, ku ka folur për të drejtën e pronës, reformat në kadastër dhe mbështetjen për qytetarët.

Kurti ka ritheksuar se Serbia nuk e ka përmbushur obligimin për dorëzimin e dokumentacionit kadastral, ndonëse marrëveshja për këtë çështje është nënshkruar në vitin 2011.

“Natyrisht që është sfidë e veçantë, për këtë tendencë mbetet fakti që janë bërë më shumë se 15 vjet që Serbia nuk na ka dorëzuar dokumentacionin kadastral, edhe pse marrëveshja ndërshtetërore është nënshkruar më datë 2 shtator 2011. Pra, në muajin e kaluar janë bërë 15 vjet që Bashkimi Evropian u ka dhënë 2 milionë euro donacion, e ata s’na e kanë dorëzuar as kopjen e dokumentacionit kadastral, se le më origjinalin”, ka theksuar ai.

Kurti ka theksuar se dokumentacioni pronësor është thelbësor për sigurinë juridike dhe mirëqenien e familjeve.

“Dokumentacioni është garantues i sigurisë juridike, që është parakusht për sigurinë e shtëpisë, banesës, e po ashtu edhe të mirëqenies dhe dinjitetit të një familjeje”, ka deklaruar Kurti.

Duke folur për rezultatet e projektit PIAKOS, kryeministri ka vlerësuar bashkëpunimin ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe ATRC-së, duke thënë se përmes këtij programi qytetarët janë mbështetur drejtpërdrejt në 16 komuna të vendit.

Sipas tij, gratë kanë përfituar veçanërisht nga ndihma për rregullimin e dokumentacionit pronësor dhe procedurat e trashëgimisë.

“Bashkëpunimi i qeverisë sonë me Qendrën për Avokim dhe Trajnim (ATRC), nëpërmjet programit PIAKOS, është me të vërtetë një vlerë e shtuar, sepse ai nuk u ndal te fushata informuese, por u zbatua në terren me qytetarët, përmes mbështetjes direkte në 16 komuna anë e mbanë Kosovës”, ka thënë ai.

Kurti ka përmendur edhe rritjen e regjistrimit të pronave në emër të të dy bashkëshortëve. Sipas shifrave që ai prezantoi, nga rreth 100 prona të regjistruara në vitin 2016, numri ka arritur në rreth 31 mijë.

“Kemi bërë një rritje 300-fish të numrit të regjistrimit të pronave në emër të të dy bashkëshortëve”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka theksuar se dokumentacioni i rregullt pronësor është i rëndësishëm edhe për përfitimin nga programet publike të renovimit dhe rindërtimit të shtëpive, si dhe nga skemat e banimit social.

Në këtë drejtim, Kurti ka përmendur projektin REGIP, i cili po zbatohet në bashkëpunim me Bankën Botërore për rindërtimin e kadastrit në 115 zona kadastrale në Kosovë.

“Qeveria ka ndërmarrë reforma konkrete në pronë dhe kadastër. Në bashkëpunim me Bankën Botërore, përmes projektit REGIP, kemi shtyrë përpara rindërtimin e kadastrit në 115 zona kadastrale në gjithë Kosovën”, ka thënë ai.

Kryeministri ka folur edhe për masat kundër falsifikimit dhe tjetërsimit të paligjshëm të pronës publike, duke theksuar se rastet e dyshimta po përcillen te organet e drejtësisë.

“Nuk ka më tolerancë për abuzimet, falsifikimet apo tjetërsimin e kundërligjshëm të pronës publike. Çdo parregullsi dhe çdo dosje e dyshimtë, qoftë në proces të shpronësimeve apo të kadastrit, po dërgohet me vendosmëri në prokurori”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka përmendur gjithashtu regjistrimin e pronave në veri të Kosovës dhe emërtimin e rrugëve në katër komunat veriore: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Sipas Kurtit, janë verifikuar dhe regjistruar mbi 23 mijë e 600 prona të pjesëtarëve të komuniteteve joshumicë./ RTK.

Kryeministri Kurti priti në takim senatorët Shaheen dhe Durbin

 

 

Prishtinë, 12 tetor 2026

 

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim senatorët amerikanë, Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin.

 

Të dy senatorët, e uruan kryeministrin për mandatin e ri dhe zgjedhjen e presidentes, gjë që riktheu stabilitetin e plotë institucional në vend.

 

“Senatorët Shaheen dhe Durbin kanë dhënë mbështetje të vazhdueshme për Kosovën dhe kanë kontribuar në forcimin e marrëdhënieve tona me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nga ta kërkova përkrahje për anëtarësimin në NATO, si dhe për shndërrimin e Bondsteel-it në bazë të përhershme ushtarake”, tha kryeministri Kurti.

 

Kryeministri Kurti foli edhe për deklaratat kërcënuese të Serbisë, përfshirë këtu mbrojtjen e hapur dhe të ndërsjellë midis ish presidentit autoritar Aleksandar Vuçiq dhe kryekriminelit terrorist Milan Radoiçiq.

 

Temë e bisedës me senatorët Shaheen dhe Durbin, ishin edhe reformat në arsim dhe vettingun në drejtësi, si dhe për krijimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

 

Kryeministri Kurti foli edhe për zhvillimin e hovshëm të teknologjisë informative, sektor ky që përbën 6% të Bruto Produktit Vendor.

 

“Ekonomia jonë vazhdon të rritet me mbi 4%, ndërsa ky mandat qeverisës do të jetë i hekurudhave, digave, industrisë së mbrojtjes, e stadiumeve sportive drejt Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030”, tha kryeministri Kurti./Zyra e Kryeministrit

 

Aktakuzë për krime lufte në Zveçan, i dyshuari akuzohet për vrasje civilësh

Ndërtesa e Prokurorisë Speciale të Kosovës në Prishtinë.

 

Radio Evropa e Lirë

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj një personi me inicialet M.Gj., nën dyshimet për kryerje të krimeve të luftës kundër popullsisë civile gjatë viteve 1998-1999 në komunën e Zveçanit.

Sipas aktakuzës, i pandehuri – që ndodhet në paraburgim – në cilësinë e komandantit të Repartit Policor rezervë në Zveçan, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore serbe, dyshohet se ka kryer vrasje, trajtim çnjerëzor, frikësim, shkatërrim të pronës, dëbim masiv dhe spastrim etnik të popullsisë civile.

Prokuroria pretendon se më 29 prill 1999, M.Gj., së bashku me persona të tjerë të paidentifikuar, pjesëtarë të Ushtrisë Jugosllave dhe të policisë serbe, mori pjesë në një operacion për rrethimin e një fshati në komunën e Zveçanit.

Gjatë këtij operacioni, sipas aktakuzës, u vranë tre civilë, ndërsa shtatë persona u rrëmbyen. Trupat e gjashtë prej tyre u gjetën në varrezat e fshatit Suhodoll, kurse trupi i viktimës së shtatë ende nuk është gjetur. Gjatë operacionit, po ashtu, u dogjën shtëpi dhe u shkatërrua pasuri materiale.

Në vitet e fundit, autoritetet e Kosovës kanë intensifikuar hetimet dhe ndjekjen penale të rasteve të krimeve të luftës të viteve 1998-1999.Disa raste janë në gjykim dhe disa kanë marrë edhe epilog gjyqësor.

Më 27 shtator, nëntë persona u arrestuan në Zubin Potok në kuadër të hetimeve për rastin e njohur si “Grupi i Intelektualëve”. Prokuroria Speciale tha se të dyshuarit u ndaluan për 48 orë. Operacioni nxiti reagime nga Serbia dhe Lista Serbe.

Më herët, më 14 qershor, pesë persona u arrestuan në kuadër të hetimeve për rastin “Reçaku II”. Ata dyshohen se ishin pjesë e njësive speciale të policisë serbe që morën pjesë në operacionin e 15 janarit 1999 në Reçak, ku u vranë 42 civilë shqiptarë..

Ndërkaq, më 6 gusht, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë në mungesë ndaj 20 personave, përfshirë Milan Radoiçiqin, nën dyshimin për krime lufte në Gjakovë. Të akuzuarit dyshohet se kanë marrë pjesë në vrasjen e 107 civilëve gjatë luftës.

Më 4 shtator, Prokuroria Speciale dorëzoi gjithashtu aktakuzë në mungesë ndaj 35 ish-zyrtarëve dhe komandantëve të lartë serbë, të dyshuar për vrasjen e 26 civilëve në lagjen Jasharaj të Prekazit të Poshtëm në mars të vitit 1998.

Aktakuzat në mungesë janë mundësuar në Kosovë pas ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale të vitit 2022. Ato mund të procedohen vetëm pasi prokuroria dhe gjykata t’i kenë shteruar përpjekjet për të siguruar praninë e të akuzuarve. Sipas ligjit, personat e dënuar në mungesë kanë të drejtë për rigjykim pa kushte nëse arrestohen.

Sipas Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, janë dokumentuar gjithsej 12.230 viktima të luftës së viteve 1998-’99.

Ndërsa, 1.577 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur nga kjo luftë.

Aktgjykimi ndaj Thaçit për pengim të drejtësisë do të shpallet më 17 nëntor

Radio Evropa e Lirë

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë do ta shpallin më 17 nëntor aktgjykimin në rastin kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe katër të akuzuarve të tjerë për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

Sipas njoftimit të gjykatës të hënën, gjyqtari i vetëm i çështjes, Charles L. Gosnell, e caktoi shpalljen e aktgjykimit në orën 10:00.

Në këtë rast, përveç Thaçit, të akuzuar janë Bashkim Smakaj, ish-shef i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Isni Kilaj, ish-kryetar i Malishevës, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi, ish-ministër i Drejtësisë.

Të pesë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për akuzat ndaj tyre.

Gjatë deklaratave përmbyllëse në shtator, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) kërkoi që Thaçi të shpallet fajtor dhe të dënohet me gjashtë vjet burgim.

Për Bashkim Smakajn, Isni Kilajn dhe Fadil Fazliun, Prokuroria kërkoi nga tri vjet burgim për secilin, ndërsa për Hajredin Kuçin kërkoi nëntë muaj burgim.

Prokuroria argumentoi se përpjekjet për të ndërhyrë në dëshmitë e dëshmitarëve përbëjnë kërcënim për administrimin e drejtësisë.

Në anën tjetër, mbrojtja e Thaçit kërkoi lirimin e tij, duke argumentuar se Prokuroria nuk kishte paraqitur prova që arsyetonin dënimin e kërkuar.

Sipas aktakuzës, gjatë vitit 2023, Thaçi u kishte dhënë vizitorëve në qendrën e paraburgimit në Hagë informacione konfidenciale për dëshmitarët në gjykimin e tij për krime lufte dhe i kishte udhëzuar se si të ndikonin në dëshmitë e tyre.

Prokuroria pretendon se në këtë proces janë përfshirë edhe të akuzuarit e tjerë, të cilët dyshohet se ndihmuan në përcjelljen e udhëzimeve te dëshmitarët.

Gjatë nisjes së gjykimit, në shkurt të vitit 2026, Prokuroria publikoi edhe audio-incizime nga takimet e Thaçit me vizitorët në paraburgim, të cilat, sipas saj, mbështesnin pretendimet për përpjekje për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve.

Rasti për pengim të drejtësisë është i ndarë nga gjykimi kryesor ndaj Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës në Kosovë.

Në atë rast, më 16 shtator, Gjykata Speciale i shpalli katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës fajtorë për disa akuza për krime lufte, ndërsa i liroi nga akuzat për krime kundër njerëzimit.

Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet, ndërsa Selimi me 13 vjet burgim. Vendimi është i shkallës së parë dhe mbrojtjet kanë paralajmëruar ankesa.

Prokuroria ka kërkuar që, nëse Thaçi shpallet fajtor edhe për pengim të drejtësisë, dënimi prej gjashtë vjetësh burgim në këtë rast të vuhet pas dënimit të shqiptuar në rastin e krimeve të luftës, dhe jo në të njëjtën kohë – pra, që periudhat e burgimit të llogariten njëra pas tjetrës.

Në takim me senatorët amerikanë, Shiroka Pula kërkon rikthimin e Dialogut Strategjik me SHBA-në

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, në takim me senatorët amerikanë, Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin, në Prishtinë, 12 tetor 2026.

 

Radio Evropa e Lirë

Gjatë një takimi me senatorët amerikanë, Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin, presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka kërkuar rikthimin e Dialogut Strategjik me SHBA-në, të pezulluar nga Uashingtoni në shtator të vitit 2025.

Ajo ka theksuar rëndësinë e këtij dialogu për thellimin e partneritetit strategjik dhe avancimin e prioriteteve të përbashkëta.

Sipas njoftimit të Ambasadës amerikane në Kosovë, Shaheen dhe Durbin janë takuar gjatë ditës edhe me kryeministrin, Albin Kurti.

Shtetet e Bashkuara e patën pezulluar Dialogun Strategjik me Kosovën për një periudhë të pacaktuar, pasi kishin përmendur veprimet e Qeverisë së atëhershme ndaj institucioneve serbe në Kosovë dhe kritikat ndaj Gjykatës Kushtetuese.

Sipas Uashingtonit, këto veprime rritën tensionet dhe kufizuan mundësinë për bashkëpunim me Kosovën në prioritetet e përbashkëta.

Në korrik të këtij viti, Departamenti amerikan i Shtetit i tha REL-it se rifillimi i dialogut varet nga krijimi i kushteve të nevojshme, përfshirë përmbushjen e zotimeve të Kosovës ndaj serbëve. Në mesin e tyre janë obligimet që dalin nga marrëveshjet e dialogut me Serbinë, përfshirë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Kosova, në anën tjetër, ka kërkuar që obligimet të jenë të ndërsjella, duke insistuar që Serbia ta nënshkruajë Marrëveshjen Bazë të vitit 2023 dhe ta dorëzojë te autoritetet kosovare Milan Radoiçiqin, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë më 24 shtator 2023.

Ndërkaq, gjatë takimit të së hënës, Shiroka Pula ka theksuar edhe se anëtarësimi në NATO mbetet synim parësor i Kosovës dhe se mbështetja amerikane është thelbësore për këtë proces.

“Anëtarësimi i Kosovës në NATO do të thotë më shumë siguri dhe stabilitet jo vetëm për vendin tonë, por për të gjithë rajonin”, ka deklaruar ajo, sipas njoftimit të Presidencës.

Gjatë takimit, në shenjë mirënjohjeje për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, presidentja i ka ndarë senatores Shaheen Medaljen Presidenciale të Meritave, të parën të ndarë që nga marrja e mandatit si presidente.

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, dekoron senatoren amerikane, Jeanne Shaheen, me Medaljen Presidenciale të Meritave në Prishtinë, 12 tetor 2026.

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, dekoron senatoren amerikane, Jeanne Shaheen, me Medaljen Presidenciale të Meritave në Prishtinë, 12 tetor 2026.

Shaheen, senatore demokrate nga New Hampshire dhe anëtare e rangut më të lartë të pakicës në Komitetin për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit amerikan, po udhëheq një delegacion të Kongresit gjatë një vizite disaditore në Ballkanin Perëndimor.

Gjatë vizitës, ajo ka diskutuar me zyrtarë të rajonit për marrëdhëniet me SHBA-në dhe çështjet e sigurisë e stabilitetit.

Kjo është vizita e fundit e Shaheenit në rajon si udhëheqëse e një delegacioni të Kongresit në këtë cilësi, para përfundimit të mandatit të saj në këtë rol.

Para vizitës në Kosovë, Shaheen qëndroi në Bosnje e Hercegovinë dhe Shqipëri.

Gjatë vizitës dyditore në Sarajevë, ajo vizitoi Qendrën Përkujtimore të Srebrenicës dhe u shpall “Qytetare Nderi e Sarajevës”, për mbështetjen shumëvjeçare ndaj Bosnjës dhe Hercegovinës dhe synimeve të saj euroatlantike.

Ajo u bëri thirrje autoriteteve të vendit të vazhdojnë rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s, duke paralajmëruar për ndikimin rus dhe rreziqet për stabilitetin e rajonit.

Në Tiranë, senatorja tha se politika amerikane ndaj Ballkanit Perëndimor duhet të përqendrohet te mundësitë ekonomike, stabiliteti dhe institucionet demokratike.

Gjatë një diskutimi me liderë të rinj, ajo theksoi rëndësinë e zgjerimit të qasjes në tregje, heqjes së barrierave tregtare dhe mbështetjes për bizneset amerikane dhe sipërmarrësit shqiptarë.

Shaheen paralajmëroi gjithashtu se paqëndrueshmëria në një vend të rajonit ndikon edhe te vendet e tjera.

Kryeministri Kurti priti në takim zëvendëspresidentin e Bankës Evropiane të Investimeve, Robert de Groot

 

 

Prishtinë, 12 tetor 2026

 

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Financave, Hekuran Murati, priti në takim zëvendëspresidentin e Bankës Evropiane të Investimeve (EIB), Robert de Groot, para nënshkrimit të marrëveshjes së kredisë për projektin për përmirësimin e pajisjeve mjekësore dhe infrastrukturës.

 

Kryeministri Kurti e falënderoi zëvendëspresidentin De Groot për vizitën, ndërsa pranoi urime për presidenten e re, zgjedhja e së cilës mundësoi kthimin e stabilitetit institucional. Në këtë frymë u diskutua për mundësitë konkrete të shtimit të vëllimit të bashkëpunimit dhe të investimeve të përbashkëta.

 

Teksa përmendi rritjen e qëndrueshme ekonomike, për çka mori përgëzime, kryeministri Kurti foli për planet për investime në hekurudha, ndërtimin e pesë digave të reja, sikurse në infrastrukturën sportive si përgatitje për Lojërat Mesdhetare 2030. Po ashtu, në takim u diskutua për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes dhe për energjinë, përkatësisht kapacitetet e reja dhe diversifikimin e burimeve. /Zyra e Kryeministrit

 

Kryeministri Kurti pranoi letër urimi nga kryeministri i Bullgarisë, Radev

 

 

Prishtinë, 11 tetor 2026

 

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pranoi letër urimi për Qeverinë dhe mandatin e ri nga kryeministri i Republikës së Bullgarisë, Rumen Radev.

 

“Kam kënaqësinë t’ju shpreh urimet e mia më të sinqerta me rastin e formimit të suksesshëm të qeverisë së re dhe marrjes së detyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës. Dinamika e marrëdhënieve ndërkombëtare kërkon përpjekje të vazhdueshme për mbrojtjen efektive të interesave kombëtare. Angazhimi juaj i palodhur për konsolidimin e Kosovës si anëtare e pavarur dhe e denjë e bashkësisë ndërkombëtare përbën një arsye të fortë për të besuar në suksesin e misionit tuaj”, shkroi kryeministri Radev.

 

Tutje në letrën e tij, kryeministri Radev shprehu mbështetjen e Qeverisë së Bullgarisë për Kosovën në proceset integruese.

 

“Ju siguroj për gatishmërinë e qeverisë së drejtuar prej meje për të vazhduar mbështetjen për ofrimin e një perspektive të qartë për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian, si dhe për anëtarësimin e plotë të vendit tuaj në Këshillin e Evropës”, vazhdoi ai.

 

Me qëllim thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve, kryeministri Radev ftoi kryeministrin Kurti për vizitë në Bullgari.

 

“Marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe dhe kontaktet miqësore personale përbëjnë një bazë të mirëfilltë për thellimin e mëtejshëm të lidhjeve ndërmjet nesh. Jam i bindur se një vizitë juaja zyrtare në Bullgari në të ardhmen e afërt do të kontribuojë ndjeshëm në ngritjen e partneritetit ndërmjet dy vendeve tona në një nivel të ri, më të lartë. Ju lutem pranoni, i nderuar zoti Kryeministër, shprehjen e konsideratës sime më të lartë”, përfundoi letrën kryeministri Radev.

 

 

Qeveria e Kosovës: Prania e Radoiçiqit në tubimin e SNS-së dëshmon se Serbia qëndroi pas sulmit në Banjskë

 

 

Sandra Cvetkoviq

Qeveria e Kosovës ka thënë se prania e Milan Radoiçiqit në një tubim zgjedhor të listës së udhëhequr nga ish-presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është “edhe një dëshmi tjetër e qartë” se sulmi në Banjskë të Zveçanit ishte “planifikuar, financuar dhe organizuar nga shteti i Serbisë”.

Kështu ka deklaruar Qeveria e Kosovës për Radion Evropa e Lirë (REL), duke iu referuar sulmit të armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, në veri të vendit, në shtator të vitit 2023, gjatë të cilit u vra një polic. Radoiçiq e ka pranuar përgjegjësinë për organizimin e këtij sulmi.

Radoiçiq, ndaj të cilit Kosova ka lëshuar pesë fletarrestime gjatë viteve të fundit dhe i cili është nën sanksione të Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe për lidhje me krimin e organizuar ndërkombëtar, u pa më 9 tetor në një tubim të Partisë Përparimtare Serbe (SNS) në Kragujevc, sipas pamjeve të publikuara nga televizioni në Beograd, N1.

Në pamjet e xhiruara dhe të publikuara nga televizioni N1 në Serbi, Radoiçiq shihet pranë djalit të Vuçiqit, Danilos, para sallës ku u mbajt tubimi zgjedhor në Kragujevc.

Në të njëjtin tubim ishte i pranishëm edhe djali i Vuçiqit, Danillo.

Sipas Qeverisë së Kosovës, pamjet ku Radoiçiq shihet pranë djalit të Vuçiqit, “do të duhej të ishin alarm për BE-në dhe vendet e tjera perëndimore”.

“Milan Radoiçiq jo që nuk dorëzohet tek autoritetet tona nga shteti i Serbisë për të dhënë përgjegjësi para drejtësisë sonë, lëre që nuk ndiqet as nga shteti atje, por madje e shoqëron dhe e siguron djalin e presidentit atje”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë së Kosovës.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Partisë Përparimtare Serbe për koment lidhur me praninë e Radoiçiqit në tubimin në Kragujevc, por ende nuk ka marrë përgjigje.

Cili është roli i Radoiçiqit në SNS?

Ekspertja e pavarur e çështjeve të sigurisë, Maja Bjellosh, vlerëson se prania e Radoiçiqit në tubimin zgjedhor të SNS-së, përkrah Danillo Vuçiqit, kishte për qëllim “frikësimin e kundërshtarëve politikë”.

“Para së gjithash, synimi ishte të frikësoheshin mbështetësit e Listës Studentore. Njëkohësisht, kjo dëshmon lidhjet politike dhe mbrojtjen që zyrtarët më të lartë shtetërorë dhe familja Vuçiq i ofrojnë një personi të dyshuar për përfshirje në organizimin e grupit që kreu vrasjen e [politikanit serb] Oliver Ivanoviq dhe sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë”, thotë Bjellosh për Radion Evropa e Lirë.

Në zgjedhjet e ardhshme në Serbi, Lista Studentore “Studentët fitojnë” konsiderohet rivalja kryesore e Partisë Përparimtare Serbe.

Kjo listë ka dalë nga lëvizja studentore kundër Qeverisë, e cila prej pothuajse dy vjetësh organizon protesta në mbarë Serbinë, duke i akuzuar autoritetet për “korrupsion dhe rrënim të institucioneve”.

Kjo nuk është hera e parë që persona të përfshirë në aktakuzat e institucioneve të Kosovës shfaqen në afërsi të Aleksandar Vuçiqit, në mbështetje të tij.

Një hulumtim i mëparshëm i Radios Evropa e Lirë kishte zbuluar se në mesin e një grupi personash që qëndronin pranë ndërtesës së Presidencës së Serbisë, së bashku me pjesëtarë të Brigadës Policore, ishte edhe Vladimir Vuçetiq.

Ai është një nga 45 personat që Prokuroria e Kosovës i akuzon për sulmin në Banjskë.

Radoiçiq dhe sulmi në Banjskë

Milan Radoiçiq e ka pranuar se ishte në krye të grupit të armatosur serb që kreu sulmin në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator 2023.

Gjatë sulmit u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa në shkëmbimin e mëvonshëm të zjarrit u vranë edhe tre sulmues.

Pas sulmit, Radoiçiq dha dorëheqje nga posti i nënkryetarit të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila ishte themeluar me mbështetjen e Partisë Përparimtare Serbe dhe Aleksandar Vuçiqit.

Kosova e ka akuzuar Serbinë se qëndron pas sulmit, ndërsa Beogradi zyrtar i ka mohuar këto akuza.

Nga 45 personat e akuzuar për sulmin në Banjskë, tre janë dënuar nga drejtësia e Kosovës. Të akuzuarit e tjerë, përfshirë Radoiçiqin, vazhdojnë të jenë në arrati. Besohet se të gjithë ndodhen të lirë në Serbi.

Cili është statusi i Radoiçiqit në Serbi?

Në Serbi ende nuk është ngritur asnjë aktakuzë lidhur me sulmin në Banjskë, pavarësisht thirrjeve të Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s, si dhe premtimeve të ish-presidentit Aleksandar Vuçiq se përgjegjësit do të ndiqeshin penalisht.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd për të mësuar se në çfarë faze ndodhet hetimi për rastin e Banjskës, nëse hetimet ndaj Radoiçiqit vazhdojnë dhe nëse mbetet në fuqi masa që e detyron atë të paraqitet në polici dy herë në muaj.

Përgjigjja ende nuk ka mbërritur.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që nga sulmi në Banjskë ka refuzuar dialogun në nivel të lartë politik me Serbinë, derisa Radoiçiq të ndiqet penalisht dhe t’i dorëzohet drejtësisë së Kosovës.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar edhe Bashkimit Evropian për koment lidhur me praninë e Radoiçiqit në tubimin e organizuar nga SNS-ja, por ende nuk ka marrë përgjigje.

Në përvjetorin e tretë të sulmit në Banjskë, BE-ja kishte bërë thirrje që përgjegjësit të përballeshin me pasojat ligjore, duke shprehur keqardhje që Serbia nuk kishte ndërmarrë ende hapat e nevojshëm për t’i arrestuar dhe ndjekur penalisht personat që ndodhen në territorin e saj.

Një zëdhënës i Komisionit Evropian kishte konfirmuar se përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, e kishte ngritur këtë çështje gjatë takimit me Aleksandar Vuçiqin, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Çfarë ka thënë Vuçiq për Radoiçiqin?

Në fund të qershorit të këtij viti, Aleksandar Vuçiq, atëkohë president i Serbisë, kishte deklaruar se Milan Radoiçiq nuk është kriminel dhe se fletarrestimi ndaj tij nuk ishte lëshuar për shkak të veprimtarive kriminale, por për shkak të Kosovës.

Në atë periudhë, në publik kishin qarkulluar informacione se Radoiçiqin dhe Zvonko Veselinoviqin, i cili gjithashtu është nën sanksionet e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe, i ruante Xhandarmëria serbe.

Autoritetet serbe i kishin mohuar këto pretendime.

Vuçiq e ka përshkruar më herët Radoiçiqin si “luftëtar për liri”, duke thënë se ai “nuk është engjëll”, por se është i gatshëm “të luftojë për popullin serb në Kosovë”.

Përveç sulmit në Banjskë, Radoiçiq është lidhur nga autoritetet e Kosovës edhe me vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq.

Ndaj tij janë lëshuar gjithsej pesë fletarrestime në Kosovë, ndër të tjera për vendosjen e barrikadave në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, në vitin 2022, si dhe për frikësimin e dëshmitarëve në rastin “Brezovica”, që lidhet me korrupsionin dhe ndërtimet e paligjshme.

Në prill të vitit 2025, Kosova lëshoi një tjetër fletarrestim ndaj Radoiçiqit, nën dyshimet për kryerjen e krimeve të luftës kundër popullsisë civile në rajonin e Gjakovës.

Më 6 gusht 2026, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë kundër 20 personave, përfshirë Radoiçiqin, nën dyshimet për krime lufte kundër popullsisë civile në Gjakovë gjatë viteve 1998-1999.

Kurti urohet nga homologu hungarez: Hungaria mbetet e përkushtuar për të kontribuuar në sigurinë e Kosovës

KOSOVË- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të premten pasdite, nëpërmjet ambasadorit Laszlo Istvan Dux, pranoi letër urimi nga kryeministri i Hungarisë Peter Magyar, për mandatin e ri qeverisës.

“Dua t’ju shpreh urimet më të sinqerta për zgjedhjen tuaj Kryeministër i Republikës së Kosovës. Ne njohim rolin kyç të Kosovës në stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Andaj, jemi të bindur që një Ballkan Perëndimor prosperues ka rëndësi jetike për Hungarinë dhe mbarë kontinentin evropian”, citon kryeministria të ketë thënë Magyar.

Kryeministri hungarez thuhet të ketë rikonfirmuar përkushtimin e vendit të tij për sigurinë e Kosovës dhe citohet të ketë shprehur mbështetjen për integrimin evropian të Kosovës.

“Në këtë frymë, më lejoni të ritheksoj se Hungaria mbetet e përkushtuar për të kontribuuar për sigurinë e Kosovës nëpërmjet pjesëmarrjes në misionin e KFOR-it dhe për të mbështetur vendin tuaj në rrugën evropiane”, njofton Kryeministria, duke iu referuar letrës së kryeministrit Magyar./Dosja.al

Kurti takohet me presidenten e re: Na presin shumë punë, kemi përpara sfida shtetërore

Presidentja e sapozgjedhur e Kosovës, Justina Shiroka-Pula priti në një takim të enjten kryeministrin Albin Kurti. Pas takimit, Kurti vlerësoi takimin si një hap të rëndësishëm drejt bashkëpunimit dhe koordinimit institucional.

Kurti tha se vendi nuk ka më kohë për të humbur pas bllokadës politike, ndërsa shtoi se kanë shumë sfida shtetërore përpara.

“Takimi i parë me presidenten dhe mikpritje e zotim për punë të mëdha e të përditshme për interesin e gjithë qytetarëve, pa dallim. E falënderova shumë, e cila na nderoi me pranimin e saj të kandidaturës. Tash na presin shumë punë. Kosova, më në fund, pas më shumë se një viti ka institucione funksionale dhe tash nuk kemi kohë për të humbur. Duhet të bëhemi bashkë për shumë sfida shtetërore që i kemi përpara”, deklaroi Kurti.

Presidenca, nga ana tjetër, tha në një njoftim zyrtar se Shiroka Pula shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë dhe bashkërendim ndërmjet institucioneve.

“Gjatë takimit, presidentja Shiroka Pula shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë dhe bashkërendim ndërmjet institucioneve, në shërbim të qytetarëve dhe të interesave të vendit. Kryeministri Kurti e falënderoi presidenten për gatishmërinë për të marrë këtë përgjegjësi dhe i uroi suksese në detyrë. Ai shprehu përkushtimin për të bashkëpunuar me të në përmbushjen e detyrave kushtetuese dhe në çështjet me rëndësi për Republikën e Kosovës”, theksoi Presidenca.

Justina Shiroka-Pula u zgjodh presidente e Kosovës me 81 vota në Kuvend, në votimin që u zhvillua në mesnatën mes të martës dhe të mërkurës, në fund të afatit kushtetues. Votimi u zhvillua pas dakordimit të Vetëvendosjes dhe PKD-së.

A mund ta ndryshojë Kosova marrëveshjen ndërkombëtare për Specialen vetëm përmes një ligji?

Ndryshimi i ligjit ishte kërkuar çdo natë

 

Radio Evropa e Lirë

Kuvendi i Kosovës miratoi më 6 tetor ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Një ditë më pas, Bashkimi Evropian u shpreh “thellësisht i shqetësuar” dhe tha se ndryshimet bien ndesh me obligimet ndërkombëtare të Kosovës ndaj BE-së.

Partia Demokratike e Kosovës, që propozoi këto ndryshime, tha se kjo nuk është e vërtetë sepse ata s’po e kërkojnë zhbërjen e Speciales dhe se “Kosova u rri besnike detyrimeve që ka marrë për të hetuar pretendimet për trafikim të organeve”.

Ndërsa Qeveria e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje s’e ka komentuar këtë deklaratë për REL-in. Megjithatë, gjatë miratimit, vetë kryeministri Albin Kurti i cilësoi ndryshimet e propozuara si “të nxituara”.

Por, nëse ndryshimet përmes një ligji vendor bien ndesh me një marrëveshje ndërkombëtare, a mund të ndryshohet ajo marrëveshje?

Ndonëse Kuvendi ka kompetencë e mandat të miratojë dhe ndryshojë ligje, ndryshimi i ligjit të Kosovës nuk do të thotë se me automatizëm ndryshohet edhe marrëveshja ndërkombëtare me të cilën ndërlidhet ligji përkatës.

Besfort Rrecaj.

Besfort Rrecaj.

Sipas profesorit të së drejtës ndërkombëtare në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, Besfort Rrecaj, marrëveshja Kosovë-BE për Dhomat e Specializuara është një instrument juridik ndërkombëtar dhe, edhe si e tillë, mund të ndryshohet, por vetëm “me pëlqimin e palëve”.

Për këtë arsye, sipas tij, Kosova duhet të kërkojë fillimisht dakordim me BE-në për ndryshimet.

“Kosova mund dhe duhet ta propozojë hapjen e negociatave me BE-në për ndryshimin e marrëveshjes, duke e përshtatur atë me ndryshimet e reja”, thotë Rrecaj për Radion Evropa e Lirë.

Ai thekson se çdo ndryshim duhet të ruajë pavarësinë e gjyqësorit dhe integritetin e proceseve gjyqësore.

Ndryshimet e miratuara nga Kuvendi prekin Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe, ndër të tjera, synojnë të ndryshojnë mënyrën e ushtrimit të kontrollit kushtetues ndaj këtij ligji dhe të ndryshojnë disa dispozita që lidhen me funksionimin e Speciales.

Ato u propozuan nga PDK-ja pak ditë pas aktgjykimit dënues të 16 shtatorit ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

Kush mund ta kundërshtojë ligjin dhe cila gjykatë ka kompetencë?

Cilido ligj i miratuar nga Kuvendi mund të kontestohet te Gjykata Kushtetuese për kushtetutshmëri nga Presidentja, Qeveria, Avokati i Popullit ose Kuvendi, ndërsa 10 ose më shumë deputetë mund ta kundërshtojnë atë brenda tetë ditësh nga miratimi.

Por, në rastin e ndryshimeve të miratuara për Ligjin për Specialen ekziston një procedurë e ndarë.

Pika 3 e nenit 162 të Kushtetutës përcakton se Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese, e përbërë nga gjyqtarë ndërkombëtarë, ka kompetencë ekskluzive për referimet kushtetuese që lidhen me Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Ndryshimet e miratuara nga Kuvendi synojnë pikërisht ta ndryshojnë këtë rregull përmes ligjit vendor, duke ia hequr Dhomës Kushtetuese në Hagë kompetencën për të shqyrtuar kushtetutshmërinë e ligjit për Specialen e duke e kaluar këtë përgjegjësi të Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Por, Kushteteta përcakton se marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara dhe normat juridikisht të detyrueshme të së drejtës ndërkombëtare kanë përparësi ndaj ligjeve të Kosovës.

Në fund të vitit 2015, për shembull, Gjykata Kushtetuese kishte kërkuar që Asociacioni i komunave me shumicë serbe të themelohej ashtu siç ishte paraparë me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, megjithëse kishte konstatuar se ajo “nuk ishte tërësisht në përputhje” me Kushtetutën. Kjo pasi që ishte konstatuar se, pas ratifikimit të marrëveshjes, “themelimi i Asociacionit është bërë pjesë e sistemit të brendshëm juridik”.

Për këtë arsye, profesori i së drejtës ndërkombëtare, Rrecaj, sqaron se nëse ligji i ri bie ndesh me marrëveshjen ndërkombëtare me BE-në, ai ligj vendor nuk mund të përdoret për ta tejkaluar marrëveshjen.

“Sipas jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara kanë përparësi ndaj ligjeve të Kosovës. Gjithashtu, Kushtetuta e Kosoves u jep përparësi marrëveshjeve ndërkombëtare edhe ndaj dispozitave të saj”, sqaron Rrecaj.

Si u refuzuan ndryshimet për Specialen në vitin 2020?

Një rast i ngjashëm kishte ndodhur në vitin 2020, kur presidenti i atëhershëm, Hashim Thaçi, propozoi ndryshimin e nenit 162 të Kushtetutës, që përcakton mandatin e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Ai kërkonte:

  • ta ndryshonte paragrafin 13, në mënyrë që të thuhej drejtpërdrejt se mandati vazhdon deri kur Këshilli i BE-së të njoftojë për përfundimin e tij, në konsultim me Qeverinë e Kosovës;
  • dhe ta fshinte krejt paragrafin 14, që e lidhte vazhdimin e mandatit me Shkëmbimin e Letrave të vitit 2014.

Propozimet u dërguan për vlerësim paraprak në Dhomën Kushtetuese të Speciales në Hagë nga kryetarja e atëhershme e Kuvendit, Vjosa Osmani. Më 26 nëntor 2020, Dhoma vendosi se amendamentet do t’i pakësonin të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë dhe, për këtë arsye, nuk mund të miratoheshin.

Në aktgjykim, Dhoma i kushtoi vëmendje të veçantë edhe faktit se Kosova nuk ishte konsultuar paraprakisht me autoritetet përkatëse të BE-së.

Dhoma e quajti mungesën e konsultimeve “mangësi procedurale”, por sqaroi se vendimi i saj nuk bazohej vetëm në këtë çështje. Megjithatë, ajo konstatoi se detyrimi për konsultim ishte pjesë e kërkesave kushtetuese dhe ishte relevant për procesin legjislativ në Kosovë.

Nga rrjedh detyrimi për konsultim?

Detyrimi për konsultim me BE-në lidhet me mënyrën se si u krijua korniza juridike e Dhomave të Specializuara.

Procesi nisi pas raportit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të vitit 2011, i cili përmbante pretendime për krime të rënda gjatë dhe pas luftës në Kosovë. Pas këtij raporti, BE-ja krijoi Task-Forcën Hetimore Speciale për t’i hetuar këto pretendime.

Në vitin 2014, presidentja e atëhershme e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Catherine Ashton, shkëmbyen letra për mënyrën se si do të trajtoheshin rastet nëse hetimet do të çonin në aktakuza dhe procese gjyqësore.

Përmes këtij Shkëmbimi Letrash, Kosova u zotua të krijonte dhoma të specializuara dhe një prokurori të specializuar, ndërsa parashihej që procedurat e ndjeshme të zhvilloheshin jashtë Kosovës.

Dokumenti parashihte edhe konsultimin me autoritetet përkatëse të BE-së gjatë ndryshimit të ligjeve që do të ndikonin në këto procedura.

Kuvendi e ratifikoi Shkëmbimin e Letrave më 23 prill 2014, duke i dhënë atij statusin e një marrëveshjeje ndërkombëtare ndërmjet Kosovës dhe BE-së.

Më pas, më 3 gusht 2015, Kuvendi miratoi ndryshimin kushtetues që krijoi nenin 162 të Kushtetutës, si dhe Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Tani, mungesa e qartësisë se si Qeveria do ta zbatojë ligjin e ri në raport me këto detyrime ndërkombëtare e lë të hapur çështjen e efektit të tij juridik në praktikë.

Valon Lluka, ish administratori i Aeroportit të Vlorës arrestohet nga Policia e Kosovës! Akuzohet për mashtrim

Biznesmeni Valon Lluka, ish administrator i shoqërisë koncesionare ‘Vlora International Airport’ është arrestuar sot nga Policia e Kosovës

Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala, ka thënë se Lluka është ndaluar për 48 orë, nën dyshimin për kryerjen e disa veprave penale.

Sipas Prokurorisë, ai dyshohet për “Mashtrimi”, “Shpërdorimi i pasurisë së huaj”, “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike” dhe “Lidhja e kontratës së dëmshme”.

“Referuar kërkesës suaj, ju njoftojmë se, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar një (1) person me inicialet V.Ll., në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak se i njëjti dyshohet për kryerjen e veprave penale “Mashtrimi”, nga neni 323, “Shpërdorimi i pasurisë së huaj”, nga neni 318, “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike”, nga neni 284, si dhe veprës penale “Lidhja e kontratës së dëmshme”, nga neni 285 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Lidhur me rastin në fjalë, prokurori i çështjes, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, po ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për ndriçimin e plotë të rrethanave të rastit. Ndërkohë, Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor, do të shqyrtojë mundësinë për caktimin e ndonjërës prej masave të sigurimit ndaj të pandehurit”, deklaroi Shala, citon media kosovare.

Nuk dihet akoma nëse ndalimi i Llukës është bërë për llogari të akuzave që ka bërë Behgjet Pacolli ndaj tij apo per një çështje tjetër.

Justina Shiroka Pula inaugurohet presidente e shtatë e Kosovës

Presidentja e shtatë e Kosovës, Justina Shiroka Pula, gjatë ceremonisë së inaugurimit.

 

Radio Evropa e Lirë

Justina Shiroka Pula është inauguruar të mërkurën si presidente e Kosovës, disa orë pasi u zgjodh në këtë post nga Kuvendi, duke shmangur kështu shpërndarjen e tij dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare.

Ceremonia e inaugurimit u mbajt në oborrin e Presidencës, pasi Shiroka Pula u zgjodh presidente me 81 vota në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit në minutat e para të 7 tetorit. Ajo mori mbështetjen e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Gjatë ceremonisë, kryetarja e Kuvendit që deri dje ushtroi detyrën e presidentes, Albulena Haxhiu, ia dorëzoi Kushtetutën e Republikës së Kosovës, para se të hynin të dyja në ndërtesën e Presidencës.

Brenda, Haxhiu tha se Shiroka Pula do ta ketë përkrahjen e saj gjithmonë dhe se është nder e krenari që një grua si ajo do ta ushtrojë tash e tutje këtë post. Ndërsa, Shiroka Pula tha se ajo do ta vazhdojnë punën që Haxhiu e ka filluar .

Më pas, ato ndërruan karrigat, teksa Shiroka Pula zuri vend në ulësen e presidentes.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, dhe presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, dhe presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula.

Zgjedhja e Pulës në postin e presidentes erdhi pas një marrëveshjeje politike në momentet e fundit ndërmjet partisë në pushtet dhe PDK-së. Marrëveshja përfshiu edhe miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Kuvendi i miratoi ndryshimet në lexim të dytë pak para votimit për presidenten, me 88 vota.

Ndryshimet, të propozuara nga PDK-ja, parashohin, ndër të tjera, kufizimin e mandatit të Dhomave të Specializuara, transferimin e rasteve që nuk hyjnë në juridiksionin e tyre te institucionet e drejtësisë në Kosovë dhe kufizimin e dënimit maksimal në 15 vjet burgim.

Ligji i ndryshuar parasheh gjithashtu mundësinë që dënimet të vuhet në Kosovë dhe që të ketë mundësi për falje presidenciale, ndërsa kushtetutshmëria e ligjit dhe ndryshimeve të tij mund të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese.

Pikërisht ky ligj pritet të jetë ndër çështjet e para që do të trajtojë Shiroka Pula në detyrën e re.

Sipas Kushtetutës, ligjet e miratuara nga Kuvendi i dërgohen presidentes për shpallje. Presidentja duhet ta nënshkruajë ligjin brenda tetë ditësh nga marrja e tij ose ta kthejë një herë në Kuvend, duke dhënë arsyet e kthimit.

Nëse brenda këtij afati, ajo nuk merr vendim as për shpalljen e as për kthimin e ligjit, atëhërë ai konsiderohet i shpallur dhe publikohen në Gazetën Zyrtare.

Ndryshimet e propozuara në ligjin për Specialen u miratuan pas protestave të zhvilluara në Prishtinë çdo natë qysh nga vendimi të 16 shtatorit të Gjykatës Speciale në Hagë për dënimin e katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, ish-deputeti Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi, u shpallën fajtorë për krime lufte dhe u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim. Ekipet mbrojtëse kanë paralajmëruar se do ta apelojnë vendimin.

PDK-ja e kishte lidhur miratimin e ndryshimeve të Ligjit për Specialen me gatishmërinë e saj për të votuar presidenten e re, ndërsa procesi u zhvillua në një situatë të tensionuar politike, me protesta para Kuvendit kundër vendimit të Gjykatës Speciale.

Shiroka Pula, 72 vjeçe, është ekonomiste dhe akademike. Ajo ka shërbyer më herët si ministre e Energjisë dhe Minierave dhe si deputete e PDK-së. Para zgjedhjes presidente, ajo ishte kryetare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe ishte gruaja e parë që drejtoi këtë institucion.

Me zgjedhjen e saj, Shiroka Pula bëhet presidentja e tretë grua e Kosovës, pas Atifete Jahjagës dhe Vjosa Osmani. Mandati i saj presidencial zgjat pesë vjet.

Urime për postin e Presidentes, Justinë, çika shtatselvi e Simon Shirokës! Nga Çun Lajçi

Në foto dasma e znj.Justina Shiroka Pula me z.Blerim Pula më 1977 së bashku me prindërit e tyre.

 

Justinë!

Mbramë ishte premiera e “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Mbramë ishte viti ’72 e ti na duartrokisje ngjitun me skenën, e “duartrokitjet e gjata na dehën neve, artistët e rijë, dhe, nga lumtunia, zbritëm në byfenë VIP të teatrit, me festue suksesin e aktorëve dhe të regjisorit Pirro Mani.

Yt atë, Simoni, shkodrani nga Shiroka, na shtrëngonte n’parzëm dhe faqet na i lagte me lot. Ishte i entuziazmuem me Gjeneralin, Priftin, Nicën, edhe me neve që kishim nga dy-tri fjalë! ! I përjetonte personazhet sikur të ishin njerëz që i kishte njohë e dashtë vetë.

Nga nji unazë argjendi ia futi n’gisht Shaniut, Istrefit, Melit … e mue ma vari n’qafë qystekun e sahatit.

– Ti je rugovas, e rugovasëve u duhet qysteku kur ti veshin xhamadanat.

– Asht çmimi për artin i argjendarit Simon, tha e qeshi e qau!

Ishte mënyra e tij me na thanë se na kishte për zemër. Nuk dinte me ardhë duarthatë te artistët.

Justinë, yt atë ishte ma shumë se artist, ma shumë se argjendar, ma shumë se atdhetar. Ishte njeri me kulturë, me dinjitet dhe shqipdashës i papamë. Artistët i stolisi me artizanatin e vet plot tridhjetë vjet dhe, gadi-gadi, kurrë s’i mori mbrapsht.

— I keni nga artisti i argjendit, — na thoshte. — Kosova asht e mbulueme me ar e argjend dhe kurrë nuk soset.

E thoshte tue qeshë, sepse Simoni kurrë s’mund të mos ishte gazmor. Edhe kur fliste për gjanat ma të mëdha, dinte me ua gjetë nji fjalë të vogël që ta çelte zemrën.

Për ne, artistët e rijë të asaj kohe, Simoni nuk ishte veç argjendari që na dhuronte nji unazë, nji qystek a nji stoli. Ishte nji burrë që dinte me na e kujtue se arti nuk asht veç skena ku ngjitesh, por edhe dora që i zgjatet artistit kur ai ka nevojë për nji fjalë, nji përqafim a nji grimë besimi. E Simoni i kishte të trija: dorën, fjalën dhe zemrën.

Prandaj mbramë, kur u takuem me të në kujtesë, nuk po festojshim veç nji post. Po festojshim edhe nji vazhdim.

Mbramë, me Simon Shirokën, e festuem edhe postin tand, Justinë, e yt atë s’i përmbante lotët.

— E kam dijtë se nji ditë Justi ka me qenë zemra e argjendtë e Kosovës! — tha.

Dhe ia krisi kangës:

— O zambaku i bardhë!

Justinë.

Kurrë s’ta thashë, e sonte, kur po bahesh zani i atdheut, po ta them: nji herë e nguca babën tand. I thashë:

— Justina Aliu n’Shkodër e Justina Shiroka n’Prishtinë, dy zana mali që t’shitojnë me sy!

Veç… kjo zana jote po kalon me Blerimin e Ymerit, me muslimanin.

Ai i hoqi syzet, ma drejtoi gishtin dhe m’u përgjigj:

— Ai asht Blerim, e Blerimat janë shqiptarë, si çika jeme!

Sa shqiptarë të mëdhej kishte kjo tokë, moj e mirë!

Ndoshta Simoni, shkodrani i Shirokës që Prizreni e bani të vetin, e kishte lanë prej kohësh nji copë të zemrës së vet në argjend, në duart e artistëve, në kangët e Prizrenit e tash, edhe në postin tand.

Urime posti i Presidentes, Justinë, çika shtatselvi e Simon Shirokës!

Bahu argjendi i Kosovës e tregoi botës se kjo tokë s’ka veç qymyr. Kjo tokë ka ar e argjend, ka njerëz që dinë me e dashtë dhe shqiptarë që s’përtojnë me vdekë për lirinë e saj.

07.10.2026

Justina Shiroka-Pula, Presidentja e re e Kosovës, reagon Kurti: Sjell stabilitet institucional

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas zgjedhjes së Justina Shiroka-Pulës në postin e presidentes së re të Kosovës.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kurti e ka cilësuar zgjedhjen e saj si një zhvillim që sjell stabilitet institucional për Kosovën.

Kurti është ndalur edhe te ndryshimet në ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Prokurorinë e Specializuar në Hagë, duke theksuar se institucionet e Kosovës do të punojnë për të mbështetur procesin e apelimit për ish-krerët e UÇK-së.

“Republika ka presidente të re, profesoreshën Justina Shiroka-Pula, Kosova ka institucione stabile.

Kemi edhe ligjin me ndryshime për Dhomat dhe Prokurorinë e Specializuar në Hagë dhe do të punojmë bashkë për suksesin e ish-krerëve të UÇK-së në apel.

Falënderoj deputetët pjesëmarrës në votim, sikurse edhe kryetarin Hamza që pranoi propozimin. Shumë mund e përpjekje, për kompromisin në fund. Për Republikën e Kosovës!

Urime presidentes së re dhe të gjithë qytetarëve”, shkruan Kurti.bw

Mesazhi i parë si Presidente, Justina Shiroka Pula: Kosova duhet të ecë përpara, të ruajmë miqësi të fortë me aleatët tanë

Justina Shiroka-Pula, Presidente e Republikës së Kosovës, ka bërë betimin para deputetëve, duke thënë se do të angazhohet për sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës.

Pas betimit, ajo tha se e pranon me nder të madh dhe me përgjegjësi të plotë detyrën e Presidentes së Republikës së Kosovës.

“Ky mandat nuk i përket vetëm një personi. Ai i përket qytetarëve tanë, institucioneve tona dhe shtetit për të cilin shumë breza u sakrifikuan. Do të jem presidente e të gjithë qytetarëve, pa dallim politik, etnik apo shoqëror. Do të punoj për unitet, drejtësi, zhvillim dhe përforcimin e institucioneve tona. Kosova duhet të ecë përpara si një shtet demokratik, i sigurt, me orientim të qartë euroatlantik dhe me miqësi të fortë me aleatët tanë. Do ta mbroj Kushtetutën, interesin e Republikës dhe dinjitetin e qytetarëve tanë. Besoj në Kosovën, besoj në njerëzit e saj dhe besoj se së bashku mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për brezat që vijnë. Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës!”, tha ajo. bw

Kush është Justina Shiroka Pula?

Radio Evropa e Lirë

Justina Shiroka Pula është zgjedhur presidente e Kosovës më 7 tetor, pas një marrëveshjeje në çastet e fundit mes Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet dhe Partisë Demokratike të Kosovës në opozitë, pak para përfundimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

Ajo u zgjodh qysh në rundin e parë të votimit, me 81 vota për, minimumi i kërkuar në këtë rund.

Shiroka Pula, 72 vjeçe, u betua si presidente para deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe tha se e pranon “me përgjegjësi” detyrën e re.

“Ky mandat nuk i përket vetëm një personi, por qytetarëve dhe shtetit”, tha ajo në fjalimin e saj para deputetëve.

Ajo u zotua se do të jetë presidente e të gjithë qytetarëve dhe se do ta mbrojë Kushtetutën, interesin e republikës dhe interesat e qytetarëve të Kosovës.

Kundërkandidatja e saj, Eliza Hoxha, e mori një votë, ndërsa dy vota ishin të pavlefshme.

Shiroka Pula u propozua në çastet e fundit të afatit për presidentin e ri nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe kandidatura e saj u pranua nga kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza.

PDK e propozoi si kundërkandidate të saj deputeten e vet, Eliza Hoxhën.

Pas një dite ngecjesh dhe moskomunikimi direkt, Kurti dhe Hamza u pajtuan për emrin e Shiroka Pulës në fund, dhe ajo u zgjodh zyrtarisht presidenti 13 minuta pas përfundimit të afatit kushtetues, mbase duke krijuar pengesa të mundshme ligjore.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi [IKD] tha për Radion Evropa e Lirë se nuk është e rëndësishme se kur ka nisur procedura, por ajo duhet të përfundojë brenda afatit të përcaktuar nga Kushtetuta.

“Çdo emërim pas datës 6 tetor është kundërkushtetues. Pasoja që Gjykata Kushtetuese e lidh me dështimin për ta zgjedhur presidentin deri më 6 tetor, është shpërndarja e Kuvendit sipas nenit 82 të Kushtetutës”, tha Miftaraj.

Miftarajt Gjykata Kushtetuese vlerëson kushtetutshmërinë e zgjedhjes së presidentes pas afatit kohor nëse dikush inicion rast në Kushtetuese.

Kush është Shiroka Pula?

Shiroka Pula është ekonomiste dhe akademike, gruaja e parë që udhëheq Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK), institucion i themeluar më 1975.

Shkollimin fillor dhe të mesëm e përfundoi në Prishtinë, ku më 1976 diplomoi në Fakultetin Ekonomik. Studimet pasuniversitare në fushën e teorisë dhe politikës së zhvillimit ekonomik i përfundoi më 1984 në Zagreb, ndërsa doktoroi në Universitetin e Prishtinës me tezën “Investimet demografike dhe zhvillimi ekonomik i Kosovës”.

Shiroka Pula ka punuar në Bankën Popullore të Kosovës, ndërsa më 1978 nisi karrierën si ligjëruese në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës.

Sipas biografisë së saj në ASHAK, ajo ka ndjekur edhe studime pasdoktorale në Universitetin e Lincit në Austri dhe në Universitetin e Arizonës në Shtetet e Bashkuara.

Nga viti 2008 deri më 2011, ajo ishte ministre e Energjisë dhe Minierave nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ndërsa nga viti 2011 deri më 2014 ishte deputete e kësaj partie në Kuvendin e Kosovës

Pas luftës, ajo u angazhua edhe në shoqërinë civile, veçanërisht në fuqizimin e grave, barazinë gjinore dhe zhvillimin e bizneseve dhe ndërmarrësisë.

Justina Shiroka Pula zgjidhet presidente e Kosovës

Flaka Zogu

01:06

 

  • Justina Shiroka Pula u zgjodh presidente e Kosovës me 81 vota. Kundërkandidate e saj ishte deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha. Votimi nisi në minutat e fundit para mesnatës dhe përfundoi pas skadimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit.
  • Para votimit për presidente, Kuvendi miratoi në lexim të dytë ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, duke përmbyllur procedurën parlamentare për projektligjin e iniciuar nga PDK-ja.
  • Seanca e jashtëzakonshme u thirr në orët e fundit të 6 tetorit, pasi PDK-ja pranoi propozimin e LVV-së që Justina Shiroka Pula të ishte kandidate për presidente.
  • Gjatë pjesës më të madhe të ditës, partitë nuk arritën të gjenin rrugëdalje, ndërsa protestat për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara vazhduan edhe gjatë 6 tetorit, pas përplasjeve mes protestuesve dhe policisë një ditë më parë.
  • Zgjedhja e Shiroka Pulës i jep fund një periudhe gjashtëmujore gjatë së cilës detyrën e presidentes e ushtroi Albulena Haxhiu.

00:39

Hamza: Është mirë që vendi do të ketë stabilitet politik dhe institucional

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, përshëndeti miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe zgjedhjen e Justina Shiroka Pulës presidente të Kosovës.

“Ne nuk dëshirojmë ta pengojmë drejtësinë. Ne dëshirojmë që UÇK-së t’i garantohet drejtësi. Çdo krim që ka ndodhur, le të luftohet”, tha Hamza, duke falënderuar deputetët që votuan për ndryshimet ligjore.

Për Shiroka Pulën, ai tha se është “një përfaqësuese e denjë për pozitën e presidentes” dhe i garantoi bashkëpunim në emër të PDK-së.

“Është mirë që vendi do të ketë stabilitet politik dhe institucional”, tha Hamza.

Bedri Hamza

Bedri Hamza

00:28

Seanca e jashtëzakonshme mbyll punimet

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës ka përfunduar punimet.

Gjatë saj, deputetët miratuan në lexim të dytë ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe zgjodhën Justina Shiroka Pulën presidente të Kosovës.

00:27

Shiroka Pula: Do të jem presidente e të gjithë qytetarëve

Presidentja e sapozgjedhur e Kosovës, Justina Shiroka Pula, tha se e pranon “me përgjegjësi” detyrën e re.

“Ky mandat nuk i përket vetëm një personi, por qytetarëve dhe shtetit”, tha ajo në fjalimin e saj para deputetëve.

Shiroka Pula u zotua se do të jetë presidente e të gjithë qytetarëve dhe se do ta mbrojë Kushtetutën, interesin e Republikës dhe interesat e qytetarëve të Kosovës. rel

Hamza i përgjigjet Kurtit: Qëndrimi i PDK-së nuk ndryshon

17:08

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka thënë se partia e tij vazhdon të mbajë qëndrim të njëjtë se së pari duhet të kalojnë edhe në lexim të dytë ndryshimet e propozuara në ligjin për Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë.

Duke folur në një konferencë për media pas ofertës së Kurtit për votimin e Bekim Sejdiut për president fillimisht, para kalimit të ndryshimeve në ligjin në fjalë, Hamza tha se kërkesa e tyre nuk mund të lidhet me zgjedhjen e presidentit të ri.

“Për ne, radha e gjërave është e qartë. Kemi thënë: së pari ligji në dy leximet”, tha Hamza. rel

Reçica i PDK-së për ofertën e Kurtit: Nuk mund të flitet me këtë gjuhë

16:23

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Elmi Reçica, tha se partia dhe kryetari i saj, Bedri Hamza, në të gjitha takimet ia ka bërë të qartë kryeministrit Albin Kurti se, së pari duhet të votohet në lexim të dytë të ligji për Gjykatën Speciale, pastaj të flitet për presidentin.

Në një përgjigje për Radio Evropa e Lirë rreth ofertës së Kurtit për PDK-në që të garantojë votën e së paku gjysmës së deputetëve të saj për zgjedhjen e Bekim Sejdiut president, ai tha se “nuk mund të flitet me atë gjuhë që të ndahet gjysma e deputetëve.”

“Nuk janë ato pazare, nuk kemi dalë ne kështu të marrim dhe të japim një pjesë të deputetëve tanë”, tha ai.

I pyetur nëse kjo përbën refuzim të ofertës nga PDK-ja, ai tha se nuk mund të flasë në emër të partisë teksa përsëriti se “nuk mund të ndahet dhe s’ndahet grupi parlamentar i PDK-së, pavarësisht që secili deputet e ka të drejtën të lirë që të përcaktohet çka voton”.

Ai shtoi se e sheh të panevojshme që PDK-ja t’i përgjigjet Kurtit për ofertën, sepse, sipas tij, qëndrimi i tyre është qartë. rel

Kurti i kërkon PDK-së vota për Sejdiun në këmbim të kalimit të ligjit për Specialen

15:46

Kryeministri Albin Kurti i ka bërë “ofertë publike” Partisë Demokratike të Kosovës për t’ia kaluar ndryshimet e propozuara në ligjin për Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë.

Ai tha se, nëse PDK-ja zotohet se ia siguron të paktën gjysmën e votave të 22 deputetëve të saj për zgjedhjen e Bekim Sejdiut president të ri të Kosovës sonte, atëherë ai do t’ia sigurojë 62 vota nga partia e tij dhe partnerët e koalicionit qeverisës për kalimin e ndryshimeve në ligjin për Specialen.

Sejdiu ishte kandidat i një marrëveshjeje mes Lëvizjes Vetëvendosje të Kurtit dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe u tërhoq muajin e kaluar, pasi gjashtë deputetë të LDK-së kundërshtuan garimin e tij.

Kurti tha në konferencë se Sejdiu mbetet kandidat dhe se i nevojiten gjysma e votave të PDK-së për ta siguruar praninë e nevojshme e të paktën 80 deputetëve në Kuvendin me 120 vende për zgjedhjen e tij në ditën e fundit të afatit kushtetues për emërimin e presidentit të ri.

Ai tha se tani pret përgjigje nga PDK-ja, meqë partia opozitare “nuk po dëshiron të takohet më me ne”.

“Bedri Hamza na kushtëzuar në mënyrë ultimative dhe refuzon të takohet”, tha ai Kurti.

Paraprakisht, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, tha se nuk takohet me Kurtin dhe askënd për asgjë ka kaluar ndryshimet për ligjin i cili synon t’ia kufizojë kompetencat Gjykatës Speciale.

15:28

Kurti: Pa president nuk mund t’i ndihmojmë katërshes së UÇK-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se zgjedhja e presidentit të Kosovës dhe mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së janë çështje të ndara.

Megjithatë, ai tha se pa e zgjedhur presidentin e ri të vendit, duke e ditur se afati për këtë mbaron sot në mesnatë, vendi nuk do të mundë t’iu ndihmojë katër ish-krerëve të UÇK-së në apelimin e dënimit të tyre në shkallë të parë me burgim për krime lufte nga Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë.

Albin Kurti në konferencë për media. Foto arkivi.

Albin Kurti në konferencë për media. Foto arkivi.

“Për katër të dënuarit, ne besojmë se duhet të ketë korrigjim në Apel, ndërsa, në anën tjetër, kemi nevojë për një strategji shtetërore e kombëtare. Moszgjedhja e Presidentit na çon drejtpërdrejt në zgjedhje. Por jo vetëm që na çon në zgjedhje, ajo na kufizon edhe mundësinë që të merremi me strategjinë shtetërore dhe me çështjen e apelit”, tha Kurti.

Ai tha se Kosova nuk mund ta trajtojë çështjen apelit vitin e ardhshëm, ne “duhet të merremi me të këtë muaj”.

“Pa President, sot Kosova rrezikon të mbetet për muaj të tërë në zgjedhje dhe pa institucione funksionale. Prandaj, çështja e zgjedhjes së Presidentit është emergjente”, shtoi ai. rel

Haxhiu i drejtohet Kushtetueses për kompetencat presidenciale pas skadimit të mandatit

Radio Evropa e Lirë

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar sqarim se kush mund t’i ushtrojë kompetencat presidenciale pas përfundimit të mandatit të saj gjashtëmujor, nëse Kuvendi nuk arrin ta zgjedhë presidentin e ri.

Këtë e konfirmoi Zyra e Presidentes në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë më 6 tetor – në ditën kur skadon afati për zgjedhjen e presidentit të ri.

Sipas Zyrës, Haxhiu e ka dorëzuar kërkesën në Gjykatën Kushtetuese më 5 tetor, duke u thirrur në nenin 113, paragrafi 3, nënparagrafi 1 i Kushtetutës.

“Kemi kërkuar të përcaktohet se si dhe nga kush ushtrohen kompetencat e domosdoshme presidenciale pas përfundimit të periudhës gjashtëmujore, kur presidenti i ri ende nuk është zgjedhur”, tha Zyra e Presidentes për REL-in.

Kush do t’i shpallte zgjedhjet?

Çështja merr rëndësi të veçantë pasi, nëse Kuvendi nuk arrin ta zgjedhë presidentin deri në përfundimin e afatit më 6 tetor, ai shpërndahet sipas Kushtetutës.

Gjykata Kushtetuese përcaktoi në mars se, nëse presidenti nuk zgjidhet brenda afatit të caktuar, Kuvendi shpërndahet automatikisht dhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

Megjithatë, kjo krijon një paqartësi tjetër: kush do t’i shpallte zgjedhjet?

Kushtetuta ia njeh presidentit kompetencën për shpalljen e zgjedhjeve, ndërsa neni 90 përcakton se pozita e ushtruesit të detyrës së presidentit nuk mund të ushtrohet për më shumë se gjashtë muaj.

Pikërisht kjo është një nga çështjet që Haxhiu i ka dërguar për interpretim në Gjykatën Kushtetuese.

“Kushtetuta këtë kompetencë ia njeh presidentit. Përcaktimi i autoritetit që mund ta ushtrojë atë në rrethanat e krijuara është një nga çështjet kryesore që ia kemi shtruar Gjykatës”, tha Zyra e Presidentes.

Sipas saj, qëndrimi i institucionit është se duhet të gjendet një zgjidhje kushtetuese që mundëson shpalljen dhe mbajtjen e zgjedhjeve brenda afateve të përcaktuara.

Zyra e Presidentes thirret në “vijimësinë institucionale”

E pyetur nga REL-i se si e interpreton situatën e krijuar, Zyra e Presidentes tha se qëndrimi i saj mbështetet në parimin e “vijimësisë institucionale”.

“Dispozitat kushtetuese duhet të interpretohen në ndërlidhje, në mënyrë që përfundimi i një afati të mos e bëjë të pamundur përmbushjen e detyrimeve të tjera kushtetuese”, thuhet në përgjigje.

Sipas saj, pikërisht për të përcaktuar një zgjidhje që do ta garantonte këtë vijimësi brenda rendit kushtetues, çështja i është dërguar Gjykatës Kushtetuese.

Haxhiu po e ushtron detyrën e presidentes pas përfundimit të mandatit të presidentes së mëparshme, Vjosa Osmani, më 4 prill.

Kushtetuta përcakton shprehimisht se pozita e ushtruesit të detyrës së presidentit nuk mund të ushtrohet për një periudhë më të gjatë se gjashtë muaj.

Gjykata Kushtetuese ende nuk ka bërë publik ndonjë vendim lidhur me çështjet e ngritura nga Haxhiu.

Radio Evropa e Lirë iu drejtua Gjykatës për të konfirmuar pranimin e kërkesës dhe për të marrë më shumë hollësi rreth trajtimit të saj dhe është në pritje të përgjigjes.

Gaz lotsjellës, autobote uji dhe të paktën 17 të lënduar – bilanci i protestës së djeshme në Prishtinë

Dymbëdhjetë persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore pas përplasjes mes policisë dhe protestuesve, të hënën mbrëma në Prishtinë. Drejtori i Emergjencës, Naser Syla ka të ditur se prej të lënduarve një është zyrtar policor ndërsa 11 të tjerë janë protestues. Syla ka bërë të ditur gjithashtu se gjendja e tyre është stabël dhe pas trajtimit janë lëshuar në shtëpi. Nga të lënduarit, tre janë trajtuar prej plagëve prerëse.

“Deri tani në Qendrën Emergjente, ndihmë mjekësore kanë kërkuar 12 persona, prej tyre një polic. Të gjithë kanë marë trajtimin e duhur dhe gjendja e tyre është stabile. Pas trajtimit të ofruar të gjithë janë lëshuar në shtëpi. Tetë prej të lënduarve janë trajtuar dhe nga ekipa e Klinikës së Oftalmologjisë për shkak të veprimit të lotsjellësit, kurse tre të tjerë plagë prerëse”, ka thënë në një përgjigje për KOHËN, Syla.

Në orët e mbrëmjes të së hënës, është përshkallëzuar situata në Prishtinë pas protestës para Kuvendit të Kosovës në të cilën protestuesit kanë kërkuar që Projektligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të kalojë edhe në lexim të dytë.

Në rrugën “Agim Ramadani” në kryeqytet, Njësia Speciale ka dalë me autoblindë dhe me “top” me ujë me synim shpërndarjen e protestuesve. Situatë e tensionuar ka mbretëruar edhe në hapësirat përreth Kuvendit të Kosovës, ku sërish është hedhur gaz lotsjellës në drejtim të protestuesve.

Paraprakisht në rrugën “Agim Ramadani” janë djegur edhe kontejnerë dhe është hedhur gaz lotsjellës, derisa protestuesit kanë hedhur mjete piroteknike në drejtim të zyrtarëve policorë dhe institucionit të Kuvendit të Kosovës.

Çlirim Haziri, një nga organizatorët e protestës ka thënë se ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla i sulmoi para grave e fëmijëve dhe iku.

“Ai Xhelali që sot rri ulur në kolltukun që u ngrit mbi gjakun e dëshmorëve, sot na ra, na gjuajti para fëmijëve tanë, para grave tona, para nënave tona e iku me bisht nën shalë. Ashtu siç është si qyqar. Po vazhdojnë të na gjuajnë, e ne do të vazhdojmë të rezistojmë, s’do të ndalemi”, ka thënë Haziri para protestuesve.

Ndërkohë, Policia e Kosovës ka thënë se përkundër kërkesave e thirrjeve të vazhdueshme që u ka bërë protestuesve që të respektohet ligji e të protestohet në mënyrë të qetë, zyrtarët policorë janë detyruar të përdorin gaz lotsjellës për të mundësuar daljen e deputetëve nga Kuvendi i Kosovës dhe për ta vënë situatën nën kontroll. Policia ka thënë se janë shkaktuar dëme materiale, por nuk raportohet për ndonjë lëndim serioz të personave.

“Edhe përkundër kërkesave e thirrjeve të vazhdueshme nga Policia, për respektim të ligjit, për protestim në mënyrë të qetë, zyrtarët policorë janë detyruar të përdorin mjetet e ligjshme policore, gazin lotsjellës, për të mundësuar daljen e personaliteteve nga Kuvendi dhe për të vënë situatën nën kontroll. Si pasojë e hedhjes së gjësendeve të ndryshme, mjeteve piroteknike, fishekzjarrëve, ndezjes së disa kontejnerëve të mbeturinave e zjarreve në rrugë nga protestuesit, janë shkaktuar dëme materiale, por fatmirësisht deri më tani nuk raportohet për ndonjë lëndim serioz të personave. Policia e Kosovës, e rithekson se e njeh të drejtën e qytetarëve për protestim dhe shprehje të pakënaqësive në mënyrë të qetë dhe demokratike dhe vazhdon të apelojë te të gjithë pjesëmarrësit të protestojnë të qetë, të mos e dëmtojnë pronën publike dhe të respektojnë ligjet. Përderisa protesta vazhdon, zyrtarët policorë do të jenë të pranishëm në terren për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, siguria e qytetarëve dhe objekteve shtetërore si dhe mbarëvajtja e protestës vazhdojnë të jenë prioritet i Policisë së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës, raporton Koha.net.

Policia e Kosovës ka publikuar edhe një komunikatë me të dhënat e fundit nga protesta që përshkallëzoi në Prishtinë. Siç thuhet në njoftim, gjashtë zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime dhe kanë pranuar tretman mjekësorë si dhe 11 protestues kanë kërkuar ndihmë mjekësore po ashtu.
Siç thuhet tutje në njoftim, Policia e Kosovës ka intervenuar me gaz lotsjellës, përfshirë topin e ujit për të shpërndarë protestuesit me qëllim që të parandalohet eskalimi i mëtejmë i situatës.

Gjatë ditës, protestuesit kanë ndërmarrë veprime të dhunshme edhe ndaj disa deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, përkatësisht Farush Rexhepit e Sami Kurteshit. Po ashtu është penguar zyrtari i Qeverisë, Besnik Bislimi, ndërsa dhunë fizike është përdorur ndaj gazetarit Jeton Sopa.

Partia Demokratike e Kosovës nuk ka reaguar ndaj sjelljes së protestuesve ndaj deputetëve dhe sulmit ndaj Kuvendit, por ka dënuar siç kanë thënë dhunën e policisë ndaj protestuesve. PDK-ja ka kërkuar nga organet shtetërore “ndaljen e çdo veprimi joproporcional që po cenon rëndë të drejtën e qytetarëve për protestë”. BW

Nga juridiksioni te dënimet: Çfarë parasheh projektligji për Specialen?

Gjykata Speciale në Hagë

 

Valona Tela

Kuvendi i Kosovës i dha të hënën mbështetje të plotë në lexim të parë një projektligji që synon të ndryshojë ndjeshëm mënyrën se si funksionojnë Dhomat e Specializuara në Hagë.

Të 91 deputetët që morën pjesë në votim e mbështetën nismën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Asnjë deputet nuk votoi kundër apo abstenoi, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nuk mori pjesë në votim.

Projektligji nuk e shfuqizon Gjykatën Speciale – siç njihen Dhomat e Specializuara në Hagë – por prek disa prej elementeve kryesore të funksionimit të saj: juridiksionin, periudhën kohore që mbulon, dënimet, vendin ku ato mbahen dhe trajtimin e rasteve që do të mbeteshin jashtë kompetencës së saj.

Nisma e PDK-së erdhi vetëm pesë ditë pas aktgjykimit të 16 shtatorit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Në dokumentin e projektligjit, nevoja për ndryshime lidhet me këtë aktgjykim dhe me gjetjet e trupit gjykues për “ndërmarrjen e përbashkët kriminale”.

Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet dhe Selimi me 13 vjet për krime lufte, ndërsa të katërt u shpallën të pafajshëm për krime kundër njerëzimit.

Pretendimet për trafikim organesh nuk ishin pjesë e aktakuzës ndaj tyre dhe asnjëri prej tyre nuk u gjykua për akuza të tilla.

Aktgjykimi nuk është i formës së prerë dhe mbrojtja ka paralajmëruar apel.

Por, çfarë do të ndryshonte konkretisht në ligj?

Juridiksion më i ngushtë

Një prej ndryshimeve kryesore ka të bëjë me llojin e veprave që mund të trajtohen nga Dhomat e Specializuara.

Projektligji synon ta lidhë juridiksionin e tyre me pretendimet specifike të raportit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të vitit 2011.

Sipas propozimit, Specialja do të merrej me veprat që lidhen drejtpërdrejt me pretendimet për nxjerrjen, heqjen dhe trafikimin e paligjshëm të organeve, indeve ose qelizave njerëzore.

Në juridiksion do të përfshiheshin edhe vrasjet, tortura dhe trajtimi mizor ose çnjerëzor në vende specifike të ndalimit të përmendura në raport, kur ato lidhen drejtpërdrejt me operacionet e pretenduara të marrjes së organeve.

Kjo do të nënkuptonte heqjen nga juridiksioni i Speciales të krimeve të tjera të luftës, krimeve kundër njerëzimit apo dhunës politike që nuk kanë një lidhje të tillë të drejtpërdrejtë.

Dhomat e Specializuara e kanë origjinën te raporti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës i vitit 2011, i cili ngriti pretendime për krime të rënda gjatë dhe pas luftës në Kosovë, përfshirë pretendime për trafikim organesh.

Pas raportit u krijua Task-Forca Speciale Hetuese, e cila hetoi pretendimet.

Në vitin 2014, Kosova dhe Bashkimi Evropian u pajtuan për krijimin e një mekanizmi të veçantë gjyqësor për trajtimin e rasteve që do të dilnin nga këto hetime.

Në vitin 2015, Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimin kushtetues që krijoi bazën për Dhomat e Specializuara, si dhe Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Dhomat janë pjesë e sistemit juridik të Kosovës, por selinë e kanë në Hagë dhe përbëhen nga prokurorë dhe gjyqtarë ndërkombëtarë.

Ndryshon edhe periudha kohore

Ligji aktual ua jep Dhomave të Specializuara juridiksionin për krimet e pretenduara të kryera nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Projektligji propozon që kjo periudhë të nisë më 1 korrik 1999 dhe të përfundojë më 31 dhjetor 2000.

Pra, periudha para 1 korrikut 1999 do të hiqej nga juridiksioni kohor i Speciales.

Ndryshim propozohet edhe në aspektin territorial.

Juridiksioni do të kufizohej në veprat e pretenduara të kryera brenda territorit të Kosovës.

Specialja ka trajtuar edhe pretendime për krime të kryera në veri të Shqipërisë.

Maksimumi 15 vjet burgim

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me dënimet.

Projektligji propozon që dënimi maksimal që mund të shqiptohet, të jetë 15 vjet burgim.

Në dokument kjo lidhet me parimin e ligjit më të favorshëm për të dënuarin – lex mitior – sipas të cilit zbatohet ligji penal që është më i favorshëm për personin e dënuar.

Në aktgjykimin e 16 shtatorit, tre prej katër të akuzuarve morën dënime më të larta se kufiri prej 15 vjetësh që propozohet me projektligj.

Rastet jashtë juridiksionit do të kalonin në Kosovë

Projektligji parasheh që rastet që, sipas juridiksionit të ri, nuk do të ishin më në kompetencën e Dhomave të Specializuara, të transferoheshin në sistemin e rregullt gjyqësor të Kosovës.

Bashkë me rastin do të transferoheshin edhe dosjet, provat dhe materialet përkatëse.

Trupat gjykues do të duhej ta rishqyrtonin juridiksionin për secilin rast brenda 30 ditësh nga hyrja në fuqi e ligjit.

Në rastet ku një aktakuzë përmban akuza që hyjnë në juridiksionin e ri dhe të tjera që mbeten jashtë tij, procedura do të ndahej.

Pjesa jashtë juridiksionit do të transferohej në Kosovë.

Personat e ndaluar në rastet që transferohen, do të silleshin në Kosovë dhe, sipas propozimit, do të duhej të dilnin para një gjyqtari brenda 48 orësh, për të vendosur për masën e sigurisë sipas ligjeve vendore.

Projektligji parasheh edhe mundësinë e ankesës në Gjykatën Supreme të Kosovës për çështjet që lidhen me juridiksionin.

Dënimet në Kosovë dhe falja presidenciale

Ndryshimet parashohin gjithashtu që personat e dënuar nga Dhomat e Specializuara të mund t’i mbajnë dënimet në institucionet korrektuese të Kosovës.

Personave të dënuar me vendim të formës së prerë do t’u hapej edhe mundësia që të jenë subjekt i faljes nga presidenti i Kosovës.

Megjithatë, zbatimi i kësaj dispozite mund të ngrejë çështje juridike.

Ligji aktual për Faljen përjashton nga e drejta për të kërkuar falje personat e dënuar për vepra të caktuara kundër së drejtës ndërkombëtare, ndërsa Kodi Penal i Kosovës i përfshin krimet e luftës në këtë kategori.

Çfarë ndodh me rastet që janë në proces?

Sipas shpjegimeve të PDK-së, procedurat aktuale të apelit do të vazhdonin brenda strukturës ekzistuese të Dhomave të Specializuara.

Nëse Apeli do të urdhëronte rigjykim, atëherë do të zbatohej juridiksioni i ri i propozuar.

Nëse rasti nuk do t’i plotësonte kriteret e reja, ai do të mund të transferohej në Kosovë.

Pra, miratimi i projektligjit nuk do të nënkuptonte vetvetiu anulimin e aktgjykimeve ekzistuese apo lirimin e personave të dënuar.

A mjafton vota e Kuvendit?

Jo domosdoshmërisht.

Dhomat e Specializuara u krijuan mbi bazën e një ndryshimi kushtetues, ligjit të veçantë dhe zotimeve ndërkombëtare të Kosovës.

Ekspertë juridikë kanë paralajmëruar se ndryshimet që prekin mandatin e tyre mund të ngrenë çështje kushtetuese dhe probleme në raport me detyrimet ndërkombëtare të vendit.

Vetë Dhomat e Specializuara i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se nuk janë konsultuar për nismën.

Qeveria e Kosovës konstatoi më 2 tetor se nuk ka pengesa ligjore për procedimin e projektligjit.

Tani për tani, projektligji ka kaluar vetëm leximin e parë.

Ai duhet të shqyrtohet nen për nen në komisionin përgjegjës dhe më pas të rikthehet në Kuvend për lexim të dytë dhe votim përfundimtar. REL

Kush mbetet në krye të shtetit nëse Kosova nuk e zgjedh presidentin sot?

Albulena Haxhiu, ushtruese e detyrës së presidentit të Kosovës.

 

Gentiana Paçarizi

Kosova ka afat deri më 6 tetor për ta zgjedhur presidentin e ri. Nëse Kuvendi dështon ta bëjë këtë, çka pason është e qartë: Kuvendi shpërndahet dhe shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme. Por, shumë më pak e qartë është se kush do t’i ushtronte kompetencat e presidentit pas kësaj?

Gjykata Kushtetuese, në aktgjykimin e fundit për rastet KO256/26 dhe KO258/26, ka konstatuar se afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit ka filluar më 8 gusht dhe përfundon më 6 tetor.

Kjo lidhet drejtpërdrejt me nenin 82 të Kushtetutës, sipas të cilit Kuvendi shpërndahet nëse presidenti nuk zgjidhet brenda 60 ditësh nga fillimi i procedurës së zgjedhjes.

Pra, nëse presidenti nuk zgjidhet deri më 6 tetor, nuk nevojitet një vendim i veçantë i Kuvendit për shpërndarjen e tij – thjesht aktivizohet dispozita kushtetuese për shpërndarjen e Kuvendit.

Gjykata e kishte sqaruar këtë parim edhe më herët. Në aktgjykimin e marsit 2026, ajo kishte konstatuar se dështimi për ta zgjedhur presidentin brenda afatit kushtetues çon në shpërndarjen e Kuvendit dhe në zgjedhje të parakohshme, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

Por, këtu lind një problem tjetër kushtetues: kush mbetet në krye të shtetit?

Në rrethana të zakonshme, kompetencat e presidentit do t’i ushtronte kryetari i Kuvendit, si ushtrues detyre i presidentit.

Por, në situatën aktuale, kjo zgjidhje kushtetuese është komplikuar nga fakti se kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, tashmë e ka ushtruar këtë detyrë për gjashtë muaj.

Haxhiu mori detyrën e presidentes pas përfundimit të mandatit të Vjosa Osmanit më 4 prill. Por, sipas nenit 90, paragrafit 3 të Kushtetutës, posti i ushtruesit të detyrës së presidentit “nuk mund të ushtrohet për një periudhë më të gjatë se gjashtë muaj”.

Kjo periudhë gjashtëmujore përfundoi të dielën, më 4 tetor.

Paqartësitë kushtetuese

Pikërisht këtu shfaqet një paqartësi që Kushtetuta nuk e adreson shprehimisht: kush i ushtron kompetencat presidenciale pasi përfundon periudha maksimale gjashtëmujore e ushtruesit të detyrës, ndërsa presidenti i ri ende nuk është zgjedhur?

Sipas interpretimeve të disa organizatave të shoqërisë civile në vend, kufiri gjashtë-mujor i nenit 90 është absolut. Në këtë lexim, Haxhiu nuk mund të vazhdojë t’i ushtrojë kompetencat presidenciale vetëm për shkak se ende nuk është zgjedhur presidenti i ri.

Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi argumenton se, pas skadimit të këtij afati, vendi mbetet pa ushtrues detyre të presidentit.

Jakaj thotë për Radion Evropës së Lirë se kjo krijon rrezik për kaos kushtetues, sepse pa president disa detyra të rëndësishme shtetërore mund të mbeten pa u ushtruar.

“Presidenti është edhe Komandant Suprem i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Nëse vendi mbetet pa president dhe pa ushtrues detyre me mandat të vlefshëm, nuk do të ketë as person që e ushtron këtë funksion”, thotë Jakaj.

Jakaj shton se ushtruesja e detyrës ishte paraparë si zgjidhje e përkohshme, gjatë së cilës partitë politike do të duhej të arrinin marrëveshje për zgjedhjen e presidentit.

“Fatkeqësisht, deri tani është parë më shumë se cilës parti i takon posti, sesa procesi dhe kriteret që duhet t’i përmbushë presidenti”, vlerëson ai.

Kështu, kjo zbrazëtirë kushtetuese krijon një problem të menjëhershëm praktik: nëse deri sot në mesnatë Kuvendi nuk arrin ta zgjedhë presidentin e ri, kush do t’i ushtronte kompetencat e tjera që Kushtetuta ia rezervon presidentit dhe kush do t’i shpallte zgjedhjet e parakohshme?

Në një analizë të publikuar më 2 tetor, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), që shqyrton ushtrimin e detyrës së presidentit përtej kufirit gjashtëmujor, vlerësoi se Kushtetuta nuk parasheh qartë se kush i ushtron kompetencat presidenciale pas përfundimit të tij.

KDI i bëri thirrje kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, në cilësinë e ushtrueses së detyrës së presidentit, ose palëve të tjera të autorizuara, t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për sqarim lidhur me ushtrimin e këtyre kompetencave pas 4 tetorit dhe autoritetin për shpalljen e zgjedhjeve në rast se presidenti nuk zgjidhet.

Deri më tani, një kërkesë e tillë nuk është bërë.

Radio Evropa e Lirë pyeti Zyrën e Presidentes nëse Haxhiu mund të vazhdojë t’i ushtrojë kompetencat presidenciale pas përfundimit të afatit gjashtëmujor, kush do t’i shpallte zgjedhjet e parakohshme në rast të shpërndarjes së Kuvendit dhe nëse për këto çështje do t’i kërkohej sqarim Gjykatës Kushtetuese, por nuk mori përgjigje.

Gjykata Kushtetuese, deri më tani, nuk e ka zgjidhur shprehimisht këtë vakuum kushtetues, teksa, sipas KDI-së, mungesa e një mekanizmi të shprehur pasimi pas përfundimit të gjashtëmujorit krijon pasiguri për ushtrimin e kompetencave të presidentit.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme pasi disa prej këtyre kompetencave janë të nevojshme për daljen nga kriza.

Presidenti, përkatësisht ushtruesi i detyrës së kësaj pozite, është ai që shpall zgjedhjet për Kuvendin dhe, pas zgjedhjeve, thërret mbledhjen e parë të legjislaturës së re.

Prandaj, nëse presidenti nuk zgjidhet deri më 6 tetor, çështja nuk është vetëm se kur do të mbahen zgjedhjet e ardhshme, por edhe se kush do ta ketë autoritetin për t’i shpallur.

Sipas Jakajt, meqenëse duket që nuk do të ketë një marrëveshje të shpejtë në mes të partive poltike, ndoshta Kuvendi është dashur që të hënën ta zhvillojë procesin e votimit për president, edhe nëse votimi do të dështonte.

“Në atë rast, ushtruesja e detyrës do të mund t’i thërriste partitë politike dhe të caktonte datën e zgjedhjeve të reja. Pas zgjedhjeve, Kuvendi i ri do të mblidhej brenda afatit kushtetues dhe do ta zgjidhte presidentin. Më pas, presidenti do të caktonte mandatarin për formimin e Qeverisë. Ky do të ishte një opsion urgjent për ta nxjerrë vendin nga bllokada”, thotë Jakaj për REL-in.

Në mungesë të një interpretimi të qartë kushtetues, kjo dilemë mund të përfundojë sërish para Gjykatës Kushtetuese. REL

Dita vendimtare për presidentin dhe ndryshimet në Ligjin për Specialen

Kuvendi i Kosovës
  • 6 tetori është afati i fundit për zgjedhjen e presidentit të Kosovës; nëse Kuvendi dështon, ai shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja.
  • Sot është, rrjedhimisht, edhe mundësia e fundit që kjo përbërje e Kuvendit t’i votojë në lexim të dytë ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
  • Ndërsa partitë ende nuk kanë marrëveshje për presidentin, protestat për ndryshimin e Ligjit për Specialen – që të hënën u përshkallëzuan në dhunë – pritet të vazhdojnë edhe sot.

08:15

Nga protesta paqësore në përplasje

Debati brenda Kuvendit është shoqëruar me protesta jashtë tij.

Qytetarë dhe përfaqësues të kategorive të dala nga lufta u mblodhën të hënën pranë Kuvendit, duke kërkuar që deputetët ta përfundonin votimin e ndryshimeve të Ligjit për Specialen.

Protesta u përshkallëzua gjatë ditës. Persona nga turma tentuan të kalonin rrethojat e Kuvendit dhe hodhën mjete piroteknike dhe gjësende të tjera në drejtim të objekteve shtetërore. Policia ndërhyri pasi situata u përkeqësua, ndërsa përplasjet vazhduan edhe gjatë mbrëmjes.

Protestuesit bllokuan edhe hyrjet dhe daljet e Kuvendit, duke kërkuar që deputetët të mos largoheshin pa e votuar projektligjin në lexim të dytë.

Situata jashtë Kuvendit të Kosovës përmes fotografive

Policia përdori gaz lotsjellës jashtë Kuvendit të Kosovës mbrëmjen e 5 tetorit, pasi disa protestues hodhën mjete piroteknike drejt ndërtesës.
1/10 Policia përdori gaz lotsjellës jashtë Kuvendit të Kosovës mbrëmjen e 5 tetorit, pasi disa protestues hodhën mjete piroteknike drejt ndërtesës.

 

Protestuesit kërkonin miratimin përfundimtar të ndryshimeve në Ligjin për Gjykatën Speciale.
2/10 Protestuesit kërkonin miratimin përfundimtar të ndryshimeve në Ligjin për Gjykatën Speciale.

 

Tensionet mes protestuesve dhe policisë vazhduan për disa orë në rrugët pranë Kuvendit në Prishtinë.
3/10 Tensionet mes protestuesve dhe policisë vazhduan për disa orë në rrugët pranë Kuvendit në Prishtinë.

 

Policia kishte formuar një kordon pranë ndërtesës, ndërsa në rrugë u panë edhe njësitë speciale.
4/10 Policia kishte formuar një kordon pranë ndërtesës, ndërsa në rrugë u panë edhe njësitë speciale.

 

Rruga kryesore pranë Kuvendit u bllokua. Policia tha se përdori gaz lotsjellës për të mundësuar largimin e zyrtarëve dhe për ta vënë situatën nën kontroll.
5/10 Rruga kryesore pranë Kuvendit u bllokua. Policia tha se përdori gaz lotsjellës për të mundësuar largimin e zyrtarëve dhe për ta vënë situatën nën kontroll.

 

Sipas policisë, një grup protestuesish pengoi daljen e deputetëve dhe zyrtarëve, duke detyruar disa prej tyre të ktheheshin brenda Kuvendit.
6/10 Sipas policisë, një grup protestuesish pengoi daljen e deputetëve dhe zyrtarëve, duke detyruar disa prej tyre të ktheheshin brenda Kuvendit.

Shfaq më shumëShfaq më pak

Gjatë protestës u dogjën kontejnerë mbeturinash dhe u ndezën zjarre në rrugë, sipas policisë, e cila raportoi dëme materiale.
7/10 Gjatë protestës u dogjën kontejnerë mbeturinash dhe u ndezën zjarre në rrugë, sipas policisë, e cila raportoi dëme materiale.

 

Gjatë përpjekjeve të policisë për t’i shpërndarë protesuesit sa më larg ndërtesës së Kuvendit, protestuesit hodhën shishe qelqi dhe mjete piroteknike në drejtim të tyre.
8/10 Gjatë përpjekjeve të policisë për t’i shpërndarë protesuesit sa më larg ndërtesës së Kuvendit, protestuesit hodhën shishe qelqi dhe mjete piroteknike në drejtim të tyre.

 

Ndryshimet e propozuara pasojnë dënimin e Hashim Thaçit dhe tre ish-udhëheqësve të tjerë të UÇK-së. Ato parashohin, ndër të tjera, dënim maksimal prej 15 vjetësh burg.
9/10 Ndryshimet e propozuara pasojnë dënimin e Hashim Thaçit dhe tre ish-udhëheqësve të tjerë të UÇK-së. Ato parashohin, ndër të tjera, dënim maksimal prej 15 vjetësh burg.

 

Projektligji kaloi në lexim të parë, por votimi përfundimtar mbeti në pikëpyetje: PDK-ja kërkonte miratimin e tij para zgjedhjes së presidentit, ndërsa Vetëvendosja kërkonte rendin e kundërt.
10/10 Projektligji kaloi në lexim të parë, por votimi përfundimtar mbeti në pikëpyetje: PDK-ja kërkonte miratimin e tij para zgjedhjes së presidentit, ndërsa Vetëvendosja kërkonte rendin e kundërt.

 

08:10

Specialja kaloi pengesën e parë, mbeti e dyta

Projektligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara kaloi të hënën në lexim të parë, por deputetët nuk arritën ta votonin edhe në lexim të dytë.

PDK-ja, e cila e ka iniciuar projektligjin, kërkoi që procedurat të përfundonin brenda së njëjtës ditë dhe që pas shqyrtimit të amendamenteve në komisione, Kuvendi të mblidhej sërish për votimin përfundimtar.

Ndryshimet e propozuara prekin disa elemente të funksionimit të Dhomave të Specializuara.

Ato parashohin, mes tjerash, kufizimin e dënimit maksimal me burgim në 15 vjet, mundësinë e ankesës në Gjykatën Supreme të Kosovës dhe vuajtjen e dënimeve në Kosovë.

Por, procesi është ndërthurur me negociatat për presidentin.

PDK-ja ka insistuar që fillimisht të përfundojë ndryshimi i ligjit dhe më pas të diskutohet zgjedhja e presidentit.

Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar që të dyja çështjet të zgjidhen brenda afatit kushtetues.

Pavarësisht takimeve mes kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, dhe atij të PDK-së, Bedri Hamza, partitë hynë në ditën e fundit pa marrëveshje për presidentin.

08:03

Dita e fundit për presidentin

Kosova ka hyrë më 6 tetor në ditën e fundit për zgjedhjen e presidentit të ri – një afat që, rrjedhimisht, mund të përcaktojë edhe fatin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Kuvendi ka kohë vetëm deri në fund të ditës për ta zgjedhur presidentin.

Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se afati 60-ditor për zgjedhjen e tij ka nisur më 8 gusht dhe përfundon më 6 tetor.

Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda këtij afati, Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja parlamentare brenda 45 ditësh.

Kjo do të nënkuptonte edhe fundin e mandatit të kësaj përbërjeje të Kuvendit dhe, rrjedhimisht, pamundësinë që ajo ta përfundojë votimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

08:00

Mirëmëngjesi!

Unë jam Valona Tela dhe do të jem me ju gjatë ditës për t’ju sjellë zhvillimet më të fundit nga Prishtina.

Sot është një ditë vendimtare: 6 tetori është afati i fundit për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.

Nëse presidenti nuk zgjidhet, Kuvendi shpërndahet – çka do të linte të papërfunduar edhe procesin e votimit të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara, të miratuara një ditë më parë në lexim të parë.

Protestat për ndryshimin e këtij ligji, që të hënën u përshkallëzuan në dhunë, pritet të vazhdojnë edhe sot.

Mundësia për një marrëveshje të minutës së fundit mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës ekziston ende, por është e kufizuar nëse partitë nuk lëvizin nga pozicionet e tyre aktuale, vlerëson Blerim Vela, bashkëpunëtor i jashtëm kërkimor në Qendrën për Siguri dhe Qëndrueshmëri në Oslo.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, në ditën kur skadon afati për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, Vela thotë se zhvillimet e një dite më parë dhe mosbesimi i kahershëm mes partive e kanë vështirësuar mundësinë e kompromisit.

“Mundësia për arritjen e një marrëveshjeje të minutës së fundit mes LVV-së dhe PDK-së mbetet formalisht e mundshme, por pas zhvillimeve të djeshme dhe mosbesimit kronik mes partive, gjasat që ajo të ndodhë janë të kufizuara nëse njëra ose të dyja palët nuk lëvizin nga pozicionet e tyre aktuale”, thotë Vela.

Sipas tij, situata nuk është më vetëm çështje e afateve kushtetuese dhe procedurave parlamentare.

Ai e sheh atë edhe si “një provë të kapacitetit të munguar të elitave politike për ta kthyer kompromisin nga një koncesion i detyruar në një akt përgjegjësie shtetërore”.

Vela: Nevojitet formulë paralele për presidentin dhe Specialen

Përplasja kryesore mes LVV-së dhe PDK-së lidhet me dy procese që kanë mbetur të papërfunduara: zgjedhjen e presidentit dhe votimin përfundimtar të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Projektligji për Specialen mori mbështetjen e deputetëve në lexim të parë më 5 tetor, por nuk u votua në lexim të dytë.

PDK-ja ka insistuar që ndryshimet ligjore të përfundojnë para se të procedohet me zgjedhjen e presidentit, ndërsa LVV-ja ka kërkuar që të trajtohen të dyja çështjet.

Vela është kritik ndaj zhvillimeve të një dite më parë – kur protestat në mbështetje të ndryshimeve në ligj u përshkallëzuan në dhunë – dhe, veçanërisht, ndaj qasjes së PDK-së.

Sipas tij, përpjekja e kësaj partie për t’i mbajtur deputetët në Kuvend derisa të votohej në lexim të dytë Projektligji për Specialen bie ndesh me qëndrimet që PDK-ja ka mbajtur gjatë krizave të mëparshme politike, kur kishte theksuar vullnetin e lirë të deputetëve dhe kundërshtonte presionin ndaj tyre.

Ai vlerëson se debati rreth UÇK-së po shndërrohet në një betejë për “pronësi simbolike dhe politike”, ndërsa refuzimi i kompromisit, sipas tij, po përdoret edhe për mobilizim elektoral.

Megjithatë, Vela sheh ende një rrugëdalje.

Sipas tij, një marrëveshje do të kërkonte që partitë të gjenin sot një formulë për të vepruar paralelisht në të dyja drejtimet.

“Çdo kthesë e mundshme sot do të vijë nga një akt i vetëdijshëm përgjegjësie, ku partitë gjejnë një formulë veprimi paralel për çështjen e mbrojtjes ligjore dhe institucionale të ish-krerëve të UÇK-së dhe zgjedhjes së presidentit”, thotë Vela.

Ai paralajmëron se vazhdimi i bllokadës nuk do të dëmtonte vetëm një parti politike, por “funksionalitetin e shtetit dhe besueshmërinë e demokracisë kosovare”.

Çfarë ndodh nëse marrëveshja dështon?

Gjashtë tetori është afati i fundit për zgjedhjen e presidentit. Nëse kjo nuk ndodh deri në përfundimin e afatit kushtetues, Kuvendi shpërndahet dhe Kosova shkon në zgjedhje të parakohshme.

Vela beson se, në një skenar të tillë, përplasjet e ditëve të fundit dhe çështja e ish-krerëve të UÇK-së do të zinin vend qendror në fushatën zgjedhore.

“Nëse dështon zgjedhja e presidentit deri sonte në mesnatë, Kosova do të futet në fushatën më të acaruar politike deri më tani”, thotë ai.

Sipas Velës, partitë mund të përpiqen t’i përdorin zhvillimet e fundit për të krijuar dy narrativë kundërshtues: njëri rreth pretendimeve se kush “e mbron UÇK-në” dhe tjetri rreth pretendimit se kush ka bërë më shumë lëshime për të shmangur një proces tjetër zgjedhor.

Vela e cilëson këtë ndarje si “konstruktim politik artificial”, që, sipas tij, synon mobilizimin e elektoratit rreth aktgjykimit të 16 shtatorit ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe debatit nëse institucionet e Kosovës kanë bërë mjaftueshëm për ta.

Ai pret që PDK-ja, në rast zgjedhjesh, të synojë mobilizimin e votuesve të prekur nga aktgjykimi dhe zhvillimet rreth Dhomave të Specializuara.

Ndërkaq, sipas tij, LVV-ja mund të argumentojë se ka bërë lëshime ndaj partive opozitare për t’i shmangur zgjedhjet dhe të kërkojë mbështetje më të madhe për të dalë nga cikli i bllokadave politike.

Vela thotë se nuk e përjashton as mundësinë që, para zgjedhjeve eventuale, Qeveria të ndërmarrë masa për mbështetje ligjore, institucionale ose financiare për ekipet mbrojtëse të ish-krerëve të UÇK-së gjatë procesit të apelit.

Rreziku i një fushate të polarizuar

Përtej përfitimeve që partitë mund të synojnë nga zgjedhjet, Vela sheh edhe një rrezik tjetër: lodhjen e mëtejshme të votuesve.

Ai përmend rënien e pjesëmarrjes në zgjedhjet e parakohshme të qershorit 2026 krahasuar me ato të dhjetorit 2025 dhe thotë se një tjetër fushatë e dominuar nga akuza për “tradhti” dhe nga polarizimi mund ta thellojë demobilizimin e qytetarëve.

“Gjithë këto manovra politike mund të rezultojnë me thellim të apatisë dhe lodhjes qytetare”, përfundon Vela.

REL


Send this to a friend