VOAL

VOAL

Deputeti i LSI-së i përgjigjet Fleckensteinit: Knut, mos u bëj Zonja e Parë e qeverisë së drogës

Përparim Spahiu, deputeti i LSI-se, qe ka hequr dore nga mandati parlamentar i ka kthyer pergjigje raportuesit për Shqipërinë Knut Fleckenstein, i cili edhe sot nuk ngurroi te shprehe hapur zhgenjimin nga kryetarja e LSI-se, Monika Kryemadhi. 

 

Me nje shenim ne faqen e tij ne FB, Spahiu i sugjeron raportuesit te mos behet “Zonja e Pare e qeverise se droges”.

Mesazhi i Spahiut 

Knut, mos u bëj Zonja e Parë e qeverisë së drogës.

As qeveria e vendit tënd nuk e do!

Bëj durim për kaq kohë sa të ka ngel, deri në Maj.

Dashamir Shehi: Do rrethojmë institucione të tjera, policia mos të kalojë vijën e kuqe do rrezikojnë veten!

Kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, komentoi protestat e opozitës, ndërsa tha se ky është vetëm fillimi.

I ftuar në emisionin “Byro Politike”, ai tha se demonstratat do të bëhen më të mëdha dhe do të rrethohen institucione të tjera.

 

Ky është një sezon i deklaruar protestash. Nuk ka asnjë gjë të re që të çuditesh. Ky është vetëm fillimi. Do vazhdojë të bëhet gjithnjë, më e rëndë situata. Demonstratat do i bëjmë më të mëdha, do rrethojmë institucione të tjera. Nuk ka ç’të çuditesh tani. Ai që çuditet bën pjesë në rolin e budallait. Do vazhdojmë të bëjmë këtë punë derisa ai zotëria të jetë atje”, tha Shehi.

Ai ka komentuar edhe hedhjen e gazit lotsjellës nga policia drejt protestuesve, duke thënë se “nëse policia kalon vijën e kuqe do fillojnë të rrezikojnë veten”.

Nëse policia do e përdorë shkopin më shumë se duhet do i përgjigjemi policisë si në të gjithë botën. Këta kanë punë të mbajnë rendin. Për policinë jemi dy palët njësoj, si ata brenda parlamentit, si ne jashtë. Nëse policia nuk e kupton dhe shkel vijën e kuqe bën një gabim të madh dhe policët fillojnë rrezikojnë veten.

S’është më policia e Enver Hoxhës, është polici demokratike. Opozita shqiptare është shumë e ndërgjegjshme. Kemi bërë demonstrata të mëdha dhe s’kemi bërë asgjë. Gjysma e shqiptarëve po ngrihen se i ka ardhur në majë të hundës. Opozita është shumë e ndërgjegjshme. Është e bërë nga njerëz seriozë, të qetë”, u shpreh Shehi.

Lamtumirë Sadije Agolli

Paraditen e sotme iu dha lamtumira e fundit Sadije Agollit, bashkëshortes e të të ndjerit Dritëro Agolli.

Ajo u nda nga jeta të martën (26 shkurt) në moshën 78 -vjeçare për shkak të një hemoragjie cerebrale.

Homazhet u zhvilluan në banesën e së ndjerës, që do kthehet në shtëpi muze.

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi dhe kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi shkuan për ti dhënë lamtumirën e fundit.

“Tek Sadija kemi parë simbolin e gruas, simbolin e bashkëshortes, të nënës, e vajzës për të cilin sot ne kemi shumë nevojë si shoqëri për shkak të gjithë këtij tranzicioni që kalojmë. Zoti e çoftë në Parajsë shpirtin e saj dhe atje ku do shkojë jam e bindur se do jetë shumë e lumtur,”-tha Kryemadhi.

Kryemadhi flet pas takimit me ndërkombëtarët: Gjëra të bukura do të vijnë për shqiptarët

Kryetarja e LSI në një deklaratë për mediat pas përfundimit të takimit të krerëve të opozitës me përfaqësues të PE, tha se opozita është në rrugën e duhur dhe se nuk ka asnjë hap pas.

“Unë di të them se nuk ka asnjë hap pas. Opozita nuk do të ketë asnjë hap pas. Shqiptarët janë mandatet tona më të pastra.

 

Protesta e 16 shkurtit, protesta e 21 shkurtit dhe protesta e djeshme, tregoi dhe njëherë që opozita është në rrugën e duhur. Jam e bindur që të gjithë ju gazetarët e terrenit, jeni në rrugën e duhur që e paraqisni opozitën në çdo moment prezent në aktivitetet e saj.

 

Faleminderit dhe na falni për gazin helmues të djeshëm që përdori Garda e Republikës kundër qytetarëve dhe kundër jush”, u shpreh ajo.

Delegacioni i Parlamentit Europian në Shqipëri, ka nisur takimet me liderët politikë, sa i përket situatës aktuale politike në vend, me opozitën që ka djegur mandatet dhe me valën e protestave kundër qeverisë.

Delegacioni do të qendrojë deri nesër në orën 10:00, ndërsa në fokus të qëllimt të vizitës së tyre është edhe njohja me procesin e reformave në prag të vendimit për negociatat që do të jepet në qershor.

Përfundon mbledhja me ndërkombëtarët, Basha: Ka vetëm një zgjidhje, nuk mjafton vetëm me Dakon…

Në një deklaratë për mediat pas përfundimit të takimit mes opozitës dhe përfaqësuesve të PE, kreu i selisë blu, Lulzim Basha është shprehur se nuk zgjidhet situata vetëm me arrestimin e Vangjush Dakos por me një reflektim të thellë të maxhorancës.

“Shqetësim i ndërkombëtarëve është stabiliteti i vendit. Zgjidhja mbetet vetëm largimi i Ramës, zgjedhje te parakohshme dhe qeveri tranzitore”, tha Basha.

 

“Rrugëdalja është zgjedhje të lira, largimi i Edi Ramës, qeveri e parakohshme.
Detyra jonë është të shpjegojmë me fakte realitetin. Shqetësimi i ndërkombëtarëve ka qenë stabiliteti, po në këtë fazë ku ndodhet vendi është detyra jonë të tregojmë se stabiliteti ka mbaruar. Kthimi i krimit të organizuar në një faktor të ndikimit të zgjedhjeve ka shkaktuar zemërim të popullit. Edi Rama në emër të stabilitetit ka shkatërruar vendin.

Ky është një proces ndërmarrë nga dy momente. E para miqtë tanë që i duan të mirën vendit do ta kuptojnë se stabiliteti i vendit është bërë copë e çikë dhe ata si Edi Rama që e shkatërruan kanë filluar të japin mend edhe për stabilitetin në Rajon. Shqipëria është një vend i vogël dhe një fuqi e madhe e propagandës që prodhon fakenews për ti helmuar”, deklaroi Basha.

Pjesë nga fjala e Bashës:

Kemi një qeveri e cila nuk punon për njerëzit po për krimin. Një ndër problemet më të mëdha është dezinformimi me të cilin Rama me lekët e drogës ka krijuar një makineri të madhe në botë siç ka bërë edhe në Shqipëri prandaj ishte momenti të flisnim hapur me miqtë tani për ti treguar gjendjen e vendit dhe se opozitës nuk i ka mbetur zgjidhje, ose të bëhet palë me këtë sistem ose ti tregojë botës se ky sistem ka rënë dhe të kërkojë një rrugëdalje.

Rrugëdalja është zgjedhje të lira, largimi i Edi Ramës, qeveri e parakohshme.
Detyra jonë është të shpjegojmë me fakte realitetin. Shqetësimi i ndërkombëtarëve ka qenë stabiliteti, po në këtë fazë ku ndodhet vendi është detyra jonë të tregojmë se stabiliteti ka mbaruar. Kthimi i krimit të organizuar në një faktor të ndikimit të zgjedhjeve ka shkaktuar zemërim të popullit. Edi Rama në emër të stabilitetit ka shkatërruar vendin. Ky është një proces ndërmarrë nga dy momente. E para miqtë tanë që i duan të mirën vendit do ta kuptojnë se stabiliteti i vendit është bërë copë e çikë dhe ata si Edi Rama që e shkatërruan kanë filluar të japin mend edhe për stabilitetin në Rajon. Shqipëria është një vend i vogël dhe një fuqi e madhe e propagandës që prodhon fakenews për ti helmuar. Me shumë mirënjohje për ndihmën që faktori ka dhënë për Shqipërinë, duhet t’ju shpjegojmë se pse po e bëjmë këtë. Në Europë nuk shkohet me vota të blera, nuk shkohet kur të drejtat themelore të njeriut shkelen. është një proces që po vazhdon. Sot në Shqipëri nuk ka demokraci dhe stabilitet.

A jeni në përpjekje me maxhorancën për komunikim? 

Nuk ka asnjë komunikim mes meje dhe Edi Ramës, komunikimi i vetëm është ai i shqiptarëve.

A do të pranojë opozita një ndërhyrje të ndërkombëtarëve për një zgjidhje si ajo në 2017?

Nuk do ketë një tjetër 2017, Edi Rama e mori 2019, Edi Rama e shkatërroi procesin zgjedhorë. E vetmja zgjidhje është një qeveri tranzitore pa Edi Ramën. Të gjithë këta që janë kapur nga Damian Gjiknuri, Taulent Balla, Dako janë kapur duke vjedhur vota dhe duhet të shkojnë drejt drejtësisë.

Tahiri në gjyq për trafik droge dhe grup të strukturuar kriminal

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka mbyllur hetimet për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.

Prokuroria ka vendosur të dërgojë në Gjykatë dosjen, ku akuzon ish-ministrin e Brendshëm për trafik ndërkombëtar të narkotikëve në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe shpërdorim detyre.

Gjithashtu të pandehur do të jenë edhe 3 ish-zyrtarët e lartë të policisë së Vlorës Jaeld Çela, Gjergji Kohila dhe Sokol Bode.

Ish zyrtari i lartë është thirrur për t’u paraqitur nesër me 28 shkurt ora 13:00 për t’u njohur me akuzat.

Më 11 shkurt Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi të pranojë kërkesën e tij për mos zgjatjen më të hetimeve, duke iu lënë prokurorëve afat të përfundonin hetimet deri më datë 10 mars. Por me sa duket hetimet janë mbyllur më herët.

Opozita ndryshon strategji, protestë sa herë mblidhet Kuvendi

Opozita e bashkuar ka anuluar protestën e parashikuar nesër para Kuvendit. Burime nga PD bëjnë me dije për ‘BalkanWeb” se protestat do të zhvillohen në varësi të seancave plenare.

Ndërkohë të njëjtat burime shprehen se protesta e paralajmëruar nga vetë kreu i PD-së, Lulzim Basha para Kuvendit më 16 mars do të zhvillohet.

Kujtojmë që i papritur ishte edhe dje vendimi i opozitës për të organizuar protestë në orën 16:30 para Kuvendit, pak minuta para fillimit të seancës plenare. Një protestë që u shoqërua me tensione, përdorim mjetesh të forta dhe e gazit lotsjellës nga ana e policisë për të shpërndarë demostruesit.

Sot në Tiranë 7 eurodeputetë, në axhendë kriza politike

Sot në Shqipëri do të arrijnë 7 eurodeputetë të Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian, ku në axhendë do të kenë krizën politike në Shqipëri.

Pikërisht të enjten ditën kur opozita do të zhvillojë protestën e radhës europarlamentarët do të kenë dhe konferencën për mediat.

Kreu i delegacionit dhe Eurodeputeti i Partisë Popullore, Tune Kelam i ka kërkuar qeverisë dhe opozitës që të zgjidhin këtë situatë me anë të dialogut konstruktiv.

“Ne dënojmë me forcë retorikën politike që nxit dhunën dhe i kërkojmë opozitës që të riangazhohet me jetën parlamentare. Qeveria dhe opozita duhet ta kapërcejnë këtë situatë nëpërmjet dialogut konstruktiv.”

Në Shqipëri ata parashikohet të takojnë Presidentin Ilir Meta, kryeministrin Edi Rama dhe kreun e PD Lulzim Basha. Pas Shqipërisë 7 eurodeputetët do të udhëtojë drejt Shkupit.

Mesazhi i fortë i Bashës pas protestës: Betejë pa kthim, ta çlirojmë vendin!

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pas protestës së djeshme të opozitës, është shprehur i bindur se kjo revoltë popullore do të çojë në rrëzimin e qeverisë.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Basha thekson se beteja e nisur është pa kthim, duke shtuar se i vetmi shpëtim është çlirimi i vendit nga e keqja që i ka zënë frymën shoqërisë.

“Beteja që kemi nisur për një Shqipëri si gjithë Europa është pa kthim! Kjo betejë do të përfundojë me shporrjen e kësaj qeverie të krimit dhe me triumfin e shqiptarëve. Udhëtimi ynë drejt Europës është i dhimbshëm dhe kalon përmes sakrificash, por ky udhëtim është shpëtimi ynë, është çlirimi nga e keqja që i ka zënë frymën shoqërisë, është rruga e sigurt drejt mirëqënies për njerëzit” shkruan Basha.

Sadija e Dritëroit – Nga Xhevdet Shehu

Dje u nda nga jeta Sadije Agolli, gruaja e Dritëro Agollit, një nga shkrimtarët më emblematikë të Shqipërisë. Sot do t’i jepet lamtumira e fundit. I qoftë i lehtë dheu aty pranë Dritëroit të cilin e deshi si dritën e syve!

Ikja e Sadijes ishte e papritur dhe e parakohshme për shumë arsye. Jo vetëm se nuk e kishte kohën për të ikur nga kjo jetë, por kishte një vitalitet të paparë për të përjetësuar veprën e Dritëroit. E kush më mirë se ajo që i njihte çdo nerv dhe qelizë, shkrimtarit dhe bashkëshortit të saj të shquar, mund ta bënte këtë?

Shprehja brilante se pas një burri të shquar, ndodhet doemos një grua e shquar, në këtë rast ka një kuptim perfekt. I kam thënë këtë Dritëroit në sy të Dritëroit dhe ai ma ka miratuar këtë. Veprat e mëdha që ka shkruar Dritëroi gjatë më shumë se gjysmë shekulli dhe që hyjnë në fondin më të shquar të letrave shqipe, vërtet kanë emrin e Dritëroit, por ato kanë dhe një bashkautor: Sadijen. Ajo ka qenë për më shumë se gjysmë shekulli lexuesja e parë e gjithçkaje që shkruante Dritëroi, redaktorja e parë dhe kritikja e parë e tij. Këtë që po them unë e kam përjetuar dhe mund ta dëshmoj me fakte. Ia merrte copërat e letrave nga xhepat, ku Dritëroi shkruante shprehje të mençura, copëza dialogjesh, vjersha, subjekte tregimesh e romanesh dhe ia ruante me shumë kujdes. Sepse ajo e njihte më mirë se askush se cili ishte Dritëroi. E deshi pambarimisht, e vlerësoi dhe e adhuroi si askush tjetër në këtë botë! E nga kjo dashuri marramendëse, i shkoi dy vjet më pas atje pranë… Ndjente mungesën Dritëroi për të apo ajo ndjente mungesën e Dritëroit? Nuk e di. Fakt është që sot Sadija do të shkojë të prehet pranë Dritëroit.

U prehshin në paqe të dy këta njerëz të mirë!

Mund të shkruaj pambarimisht për Dritëroin dhe Sadijen. Sot është dita e Sadijes, e ndarjes fizikisht me këtë grua fisnike dhe të mençur, ndaj më duket sikur mëkatoj që flas më shumë për Dritëroin se për të. Ajo ishte një monument më vete. Por Sadija nuk do të më zemërohej për këtë mëkat. Sikurse dhe Artani dhe Elona, bijtë e mrekullueshëm të Sadijes dhe të Dritëroit…

Unë e kam njohur shoqen e madhe të jetës së Dritëroit, ndaj dhe kam pasur dhe kam një respekt të madh për Sadije Agollin. Bashkëshortësia e saj më Dritëroin ishte një amalgamë njerëzore e admirueshme në të gjitha aspektet. Sadija e donte marrëzisht bashkëshortin e saj të shquar sa kishte marrë të gjitha huqet e tij. Mbase edhe Dritëroi kishte marrë nga ajo. Po ju sjell një fakt domethënës: Në disa dedikime dhe letërkëmbime që ruaj prej çiftit Agolli unë nuk jam në gjendje ndonjëherë  të kuptoj se cili është shkrimi i Dritëroit dhe cili i Sadijes. Ata shkruanin gati njëlloj, me të njëjtin stil komunikimi dhe intelekti, të ortografisë dhe të drejtshkrimit. Aq shumë ishin shkrirë me njëri-tjetrin. Një aliazh që nuk u ndryshk deri në fundin e jetës së tyre fizike. Edhe ky mendoj se është një element i dashurisë së tyre të madhe…

Prandaj i kam respektuar dhe dashur ata. Dhe do ti kujtoj përjetësisht me dashuri.

Në dy vjetorin e ndarjes nga jeta të Dritëroit, Sadija po punonte intensivisht për një libër me kujtime të miqve bashkëkohës të Dritëroit. Libri ishte drejt përfundimit. Mbi 90 për qind ishte dhe është i kryer, falë përkushtimit të jashtëzakonshëm të Sadijes. Disa nga këto kujtime janë botuar në gazetën DITA.

Një ditë para se Sadijes t’i binte hemorragjia e rëndë cerebrale që i mori jetën, unë kam pasur një bashkëbisedim të gjatë me Sadijen për fatin e këtij libri dhe për autorë të veçantë që duhej të përfshiheshin në këtë libër. Ishte një bashkëbisedim prekës. Nuk do ta harroj kurrë atë bashkëbisedim. Ajo që më bënte përshtypje në të gjitha bashkëbisedimet e shpeshta që kam pasur me Sadijen (sepse Dritëroi nuk mbante telefon celular) sa herë doja të komunikoja me Dritëroin do të flisja me doemos me Sadijen. Ato që më thoshte Sadija përputheshin tërësisht me ato që më thoshte Dritëroi. Janë histori letrare, politike e shoqërore këto të cilat i ruaj si brilante në kujtesën time. Fotografitë që kam me shkrimtarin dhe poetin e shquar janë dëshmi autentike për këto që po them.

Por sot është dita e Sadijes. Dita e ndarjes fizike me të.

Në përvjetorin e parë të ndarjes nga jeta të Dritëroit, Sadija e përkujtoi shokun e një jete për më shumë se gjysmë shekulli, duke botuar letërkëmbimin e tyre shumëvjeçar. E ka titulluar “Dashuri në moshën e Krishtit”, duke iu referuar moshës së Dritëroit, kur ata u njohën. Në këtë përmbledhje janë përfshirë letrat që Sadija dhe Dritëroi i kanë dërguar njëri-tjetrit në vitet e para të njohjes, por edhe më vonë për të kujtuar kohë të vjetra apo për t’i thënë njëri-tjetrit gjëra që nuk i thoshin dot me fjalë.

Libri është i pajisur me një parathënie të shkruar nga vetë Sadije Agolli, përmes së cilës ajo ndan me lexuesin dhimbjen, mungesën, një vit të gjatë dhe të vështirë pa njeriun e dashur. Ajo rrëfen copëza nga përditshmëria e tyre së bashku, por edhe kujtime të hershme… Janë momente të bukura dhe të vështira, të cilat jo rrallëherë, Dritëroi i kthente në vargje.

Tashmë që Sadija iku nga kjo botë, e kuptoj se çfarë thesaresh kemi humbur. Vetë Dritëroi më pat thënë dikur se “Eh, ç’mund të shkruaj unë për kujtimet e kësaj jete. Por unë jam shpirtdhimbsur. Më dhimbsen edhe kundërshtarët dhe nuk më pëlqen t’i shoh se si vuajnë nga mëkatet që kanë bërë. Por, jam edhe ipamëshirshëm. Do t’i lë kujtimet e mija nën jastëk e le të botohen pas vdekjes sime. Sadija do të merret me to…”

Unë nuk e di fatin e kujtimeve të Dritëroit. E kisha lënë të bisedoja me Sadijen këtë në një kohë të volitshme, pa menduar kurrë se ajo do të ikte kaq papritmas… Ndjej keqardhje të thellë dhe shumë i penduar që nuk nxitova t’ia merrja ca kujtime Sadijes…

Ndarja nga jeta e Sadije Agollit, Basha: I bashkohem amanetit që lanë të dy

“Sadija është shembulli më kuptimplotë i thënies se pas çdo burri të madh, qëndron gjithmonë një grua e madhe”.

Keshtu shkruan kreu i PD-se, Lulzim Basha ne nje mesazh pas ndarjes nga jeta bashkëshortes së shkrimtarit të madh të letrave shqipe, Dritëro Agolli.

Mesazhi i Bashes 

Mësova me hidhërim të madh ndarjen nga jeta të Sadije Agollit, bashkëshortes së shkrimtarit të madh të letrave shqipe, Dritëro Agolli.

Një gazetare dhe shkrimtare e njohur, kjo bijë e Shkodrës ishte bashkudhëtarja për mbi 5 dekada e krijimtarisë magjepsëse të Dritëroit. Sadija është shembulli më kuptimplotë i thënies se pas çdo burri të madh, qëndron gjithmonë një grua e madhe.

Jam i sigurtë se çdo lexues i poezive magjepsëse të Dritëroit, teksa ju kthehet atyre, do të kujtojë edhe gazetaren që ka qenë lexuesja dhe kritikja e parë e atyre rreshtave.

Duke ju gjendur pranë Elonës dhe Artanit, i bindur se kujtimi i një lidhjeje të madhe mes intelektualësh dhe i kujtimeve që ata lanë, i bashkohem amanetit që Sadija dhe Dritëroi lanë, që të përcillen jo me vaj por “me dinjitet, ashtu siç jetoi Dritëroi e jetuam deri tani”. U prehtë në paqe!

Ndahet nga jeta Sadije Agolli, bashkëshorte e shkrimtarit të famshëm Dritëro Agolli


Tirane, 26 shkurt 2019. Ndahet nga jeta Sadije Agolli, e veja e shkrimtarit të madh, Dritëro Agolli. Ajo ndërroi jetë sot tek Neurologjia në QSUT, Tirane, pas një hemoragjie cerebrale

Sadije Agolli u shua në moshën 76-vjeçare. Në shkurt të dy viteve më parë u shua edhe shkrimtari i madh, dhe bashkeshorti i Sadijes, Dritero Agolli, në moshën 85-vjeçare.

Sadija nuk ishte vetëm bashkëshortja e të madhit Agolli, por njëherazi lexuesja e tij e parë, redaktorja, shoqja e tij besnike e ditëve të bukura e të vështira. Një dashuri e bukur 52-vjeçare.

Në dy vjetorin e ndarjes nga jeta të bashkëshortit të saj, Sadije Agolli në një intervistë për Report Tv, thoshte se ende jetonte me kujtimet e tij, me veprat, porositë e personazhet aq të dashura për lexuesin.

Rrëfente edhe amanetin për ta kthyer në muze, shtëpinë ku jetuan.

“Unë e kam ndier shumë mungesën e tij, do doja që të kisha mendimin e tij. Për çdo gjë unë flisja me të. Kjo është një gjë shumë e rëndësishme, që gjithë ky ambient që kemi jetuar një jetë të tërë të jepet për muze. Mirëpo, duhet të kapërcej vetveten në këtë rast. Edhe për hir të Dritërorit, që deri më tani nuk është bërë asnjë muze, qoftë edhe në fshat, që i kemi çuar edhe materialet qëkur ishte Dritëroi gjallë. Nuk u bë asgjë. kështu që tani duhet bërë kjo sakrificë nga unë edhe nga fëmijët, që ky ambient të paktën të kthehet në muze. Këtu ka shumë gjëra që mund të mësojnë njerëzit, kushdo që vjen. Është jeta e tij, puna e tij, e pasqyruar në vepra, në gjithë këtë që shihni ju. Por edhe të tjerët mund ta mësojnë jetën e tij, si shkrimtar, si njeri edhe si artist. Përveç bibliotekës që e kemi shumë të pasur, ka piktura edhe skulptura, secila prej tyre mbart një kujtim”, – rrëfente Sadije Agolli .

VOAL i shpreh ngushëllim vajzës Elona, djalit Artan dhe gjithë familjes e të afërmve të Sadije Agollit.

Mbledhja e Opozitës së Bashkuar: Pas 16 marsit do të bëjmë opozitë 360 gradë

Kreu i PD-së, Lulzim Basha mbledh aleatët në selinë blu.

 

Burime per “Panorama” bejne me dije se takimi ka nisur ne mesdite ne seline e PD-se dhe ne te jane pare te hyjne Kryetarja e LSI-se, Monika Kryemadhi, shoqeruar nga Petrit Vasili.

Ne takim jane kreu i LZHK-se, Dash Shehi dhe aleatet e tjere te Bashes. Takimi vjen nderkohe qe opozita ka hequr dore nga mandatet parlamentare, nderkohe qe Basha ka njoftuar mbajtjen e tri protestave se afermi me qellim largimin e Rames dhe qeverise se tij dhe krijimin e nje qeverie kalimtare per ti hapur rruge zgjedhjeve te lira dhe te ndershme.

Ndërkohë mbledhja pa përfunduar pas rreth 1 orë ndërsa në një deklaratë për media kreu i PR, Fatmir Mediu u shpreh se u diskutua për vijim e protestave dhe se çfarë do të bëjë opozita tashmë e në vijim.

Ai u shpreh ndër të tjera se opozita do të bëjë atë çfarë populli do, për “ta kthyer vendin në binarët europianë”.

Më pas kreu i LZHK-së,  Dashamir Shehi u shpreh: Qëllimi ynë është largimi i Ramës dhe krijimi i një qeverie tranzitore që të marrë përsipër të bëjë dy tre punë të mira, të pastrojë ambientin politik nga krimi dhe të mundësojë zgjedhje të reja dhe të lira, pastaj po qenë të zotë le të fitojnë prapë, por kjo është radha e opozitës, pasi këta që janë sot janë diskredituar edhe në rrafshin ndërkombëtar.

“Ndërkombëtarët kanë marrë pozicionin e vet, ne i mirëkuptojmë, por duhet që të kuptohet se sa të jetë Rama do ketë drogë dhe jo stabilitet.

A ekziston skenari i tërheqjes së të zgjedhurve lokalë?

Nuk e kemi disktuar këtë punë. Këto do të diskutohen pas datës 16. Të jeni të sigurtë që sulmi i opozitës do të jetë 360 gradë. Në të gjitha institucionet, në të gjithë hapësirën shoqërore, politike dhe ndërkombëtare. Këtë do e përcaktojmë pas datës 16 mars kur do të jetë dhe protesta e madhe.

Djegia e mandateve, variantet që po diskuton PS për të dalë nga kriza

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka përcaktuar ende një datë se kur do të marrë në shqyrtim 56 dorëheqjet e deputetëve të opozitës nga mandati i deputetit. Por burime pranë tij kanë bërë me dije dje se dosja e paraqitur nga ana e Kuvendit me 56 njoftimet për deklarimin e dorëheqjeve të deputetëve të opozitës nuk është korrekte, pasi shkresat nuk përcaktojnë krijimin e vakancave, siç edhe parashikon ligji.

Debati
Për këtë, ata kanë krahasuar shkresat e ardhura të premten dhe shkresat e ardhura nga praktikat e mëparshme, kur deputetë të ndryshëm kanë lënë mandatin e deputetit. Një rast i tillë është ai i ish-deputetit të PDIU-së, Bujar Muça, i cili dorëzoi mandatin si deputet i Elbasanit. Në këtë rast Kuvendi njoftoi KQZ-në me një shkresë ku thuhej: “Ju njoftojmë se deputeti Bujar Muça ka depozituar në Kuvendin e Shqipërisë dorëzimin e mandatit të deputetit. Në mbështetje të nenit 71, pika 2 e Kushtetutës ka mbaruar. Bazuar në Kodin Zgjedhor, Kuvendi ju njofton për krijimin e vakancës nga ndërprerja e parakohshme e mandatit, për të vijuar procedurat e zëvendësimit”. Pra siç shihet, Kuvendi në këtë rast e ka përcaktuar qartë mbarimin e mandatit dhe krijimin e vakancës për këtë deputet. Çka nuk ndodh në njoftimin për deklarimin e dorëheqjeve të 56 deputetëve të opozitës, që kanë shkuar në KQZ ditën e premte. Kjo pasi në këto shkresa, që janë të njëjta për të gjitha rastet e 56 dorëheqjeve, Kuvendi shkurtimisht i shkruan KQZ-së: “Z. Sali Berisha deputet i Kuvendit të Shqipërisë ka paraqitur dorëheqjen nga mandati i deputetit. Në zbatim të Kodit Zgjedhor, ju përcjellim për kompetencë dokumentacionin përkatës”. Pra, siç shihet, në këto raste Kuvendi nuk ka shpallur vakancat dhe ia ka lënë “topin” KQZ-së për të vepruar më tej. Por burime nga Kuvendi kanë sqaruar dje për “Gazetën Shqiptare” se njoftimet e përcjella për dorëheqjen e deputetëve nuk kanë asnjë problem të këtij lloji, pasi ato në vetvete janë njoftim për shpalljen e vakancës. Shkresat sipas tyre, ndonëse ndryshojnë në formulim nga shkresat e mëparshme, kanë të njëjtin qëllim, pra bëjnë me dije dorëheqjen e deputetëve dhe krijimin e vakancave, ndërsa mënyra e hartimit të tyre është praktikë administrative. Sipas këtyre burime, shkresa përmbush plotësisht detyrimet që lindin nga neni 164 i Kodit Zgjedhor, pika 1 e tij, ku thuhet se: “Deputeti deklaron në mënyrë publike përpara komisionit përkatës të Kuvendit refuzimin për të bërë betimin ose heqjen dorë nga mandati. Në këtë rast, Kuvendi jo më vonë se 30 ditë, njofton KQZ-në për krijimin e vakancës”.

Mazhoranca
Ndërkohë që burime nga mazhoranca bëjnë me dije se janë duke u diskutuar disa variante për të menaxhuar situatën e krijuar nga djegia e mandateve nga ana e opozitës. Varianti i parë është ai ligjor, pra që të vijohet me procedurën e plotësimit të vakancave të krijuar dhe zbatimin e ligjit deri në shterimin e kandidatëve në listat shumemërore. Ky variant do të bënte fakt të kryer largimin e opozitës reale nga Kuvendi. Varianti i dytë që po diskutohet është që mazhoranca të shfrytëzojë faktin që disa deputetë të opozitës nuk e kanë lënë mandatin dhe të synojë që bashkë me ndonjë element tjetër që mund të ndryshojë mendje rrugës dhe të heqë dorë nga lënia e mandatit, të krijojë një shumicë prej 84 deputetësh në Kuvend. Kjo sipas tyre e bën Kuvendin funksional për të marrë vendime edhe me shumicë të cilësuar votash dhe i jep atij një farë legjitimiteti të pranuar edhe në sytë e ndërkombëtarëve. Ndaj, loja me mosdeklarimin e vakancës mund të jetë pikërisht në funksion të këtij varianti, pasi krijon konfuzion ligjor, nuk lejon KQZ-në të veprojë me zëvendësimet dhe lë në pritje dorëheqjet e deklaruara nga deputetët e opozitës. Dhe kjo për të lënë mundësinë që në një të ardhme të afërt, me ndërhyrjen e ndërkombëtarëve, opozita të pranojë të rikthehet në parlament. Këto janë dy variantet ligjore që mund të ndjekë shumica e majtë, pasi në tavolinë ekzistojnë edhe variante të tjera të zgjidhjes politike, që ka një marrëveshje mes PS dhe PD, e deri te zgjedhjet e parakohshme.

Krimet e Rënda edhe Balilit gjykim të shkurtuar

Gjykata për Krime të Rënda pranoi kërkesën e Kelmend Balilit për gjykim të shkurtuar, ndërsa më 12 mars do te lexohet pretenca.

Gjykimi i shkurtuar i jep të drejtën Balilit të përfitojë ulje të dënimit, në rast të shpalljes fajtor.

 

Gjatë seancës së sotme, Prokuroria lexoj kërkesën për gjykim, ku i ngarkon të pandehurit, rastin e trafikut të rreth 675 kg kanabis, ndërsa provat kryesore të akuzës janë hetimet e autoriteteve greke.

*** Ka nisur në orën 10:00 në Gjykatën për Krime të seanca e parë e gjykimit ndaj Kelment Balilit, i cilësuari si “Eskobari i Ballkanit”.

Mbi të rëndojnë akuzat për “Trafikim të lëndëve narkotike në bashkëpunim, “pjesëmarrje në grupin e strukturuar kriminal”, “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurive”, si dhe për “Pastrim parash”.

HETIMET

Më shumë se dy vite kanë zgjatur hetimet për njeriun, që shpesh është konsideruar si “Eskobari i Ballkanit”, ndërsa pjesa më e madhe e hetimeve, duket se është e bazuar në përgjigjet e marra nga letërporositë e dërguara në Greqi. Prokuroria për Krime të Rënda ka një sërë përgjimesh të grupit, ku Balili dyshohet se ka qenë një nga financuesit.

Emri i këtij të fundit, si i përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike, është lakuar nga politika dhe media greke, në momentin që ai ishte në krye të Drejtorisë së Transportit Rrugor në Sarandë, në vitin 2016. Pas këtyre të dhënave, të bëra publike në atë kohë, Prokuroria e Krimeve të Rënda me shkresë Nr.112/ 1 prot, datë 11.05.2016, kërkoi përcjelljen e letërporosisë për ndihmë juridike, drejtuar autoriteteve greke të drejtësisë, për të marrë informacion për Klement Balilin.

Referuar dosjes hetimore, ka qenë rasti i trafikimit të një sasie prej 700 kilogramësh kanabis sativa nga Saranda drejt një ishulli në Greqi, që kanë nxjerrë Balilin në përgjimet e autoriteteve greke. Sipas këtyre përgjimeve, dyshohet se Klement Balili mbante kontakte me dy skafistë dhe pritësin e sasisë së lëndës narkotike në Greqi. Pritësi rezultoi të ishte një biznesmen në shtetin fqinj dhe është vënë në pranga gjatë këtij operacioni, së bashku me dy skafistët, ndërsa në atë kohë është bërë edhe shpallja në kërkim e Klement Balilit.

“Me shkresë Nr.4264KL/6, Prot. FKB, datë 17.05.2016 të Ministrisë së Punëve të Brendshme (Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana) ka njoftuar Ministrinë e Drejtësisë dhe ka vënë në dijeni Prokurorinë e Përgjithshme ‘Mbi shpalljen në kërkim ndërkombëtar nga Interpol-Athina’, po në datë 17 maj 2016 të shtetasit shqiptar Klement Balili, në bazë të urdhërarrestit nr.FE7698, viti 2016, për veprën penale ‘Krijim dhe drejtim Organizate Kriminale’”, njoftonte dy vite më parë Ministria e Drejtësisë.

SEKUESTRIMI I PASURISË

Në muajin nëntor të 2017-ës, Gjykata për Krime të Rënda pranoi kërkesën e Prokurorisë për sekuestrimin e pronave të Klement Balilit. Kështu, në datën 24 nëntor Policia ekzekutoi vendimin duke vënë nën sekuestro hotelin “Santa Quaranta”, disa metra katrorë truall dhe 36 apartamente. “Policia e Shtetit ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, të pasurive në emër të Klement dhe Bashkim Balilit, që janë: ish-kampi i Pushimit të Punëtorëve në Sarandë, aktualisht hotel ‘Santa Quaranta’; 28,690 m2 truall; 36 apartamente e njësi shërbimi, me rreth 2.178 m2 sipërfaqe.

Këto pasuri të sekuestruara do të administrohen dhe përdoren nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë”, njoftoi Policia e Shtetit. Vendimi për sekuestrimin u apelua nga familja e Balilit, të cilin e kishin konsideruar si të padrejtë, por edhe pse çështja u çua në Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda, kjo e fundit, në shkurt të 2018-ës la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë.

AKUZAT

1. “Trafikimi i lëndëve narkotike”, i kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal.
2. “Pjesëmarrje në grupin e strukturuar kriminal”.
3. “Refuzim për deklarimin, mosdeklarimin, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.
4. “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

PANORAMA

 

 

Te lidhura

Rudina Hajdari nuk dorëzon mandatin: Po konsultohem me aleatët nga SHBA e BE

ARISTIR LUMEZI/ Deputetja demokrate, Rudina Hajdari, mbrëmë ka thyer heshtjen dhe ka paralajmëruar mbajtjen e mandatit të deputetit, duke dalë kundër vendimit politik të Partisë Demokratike.

 

Përmes një statusi në “Facebook”, zonja Hajdari, vajza e themeluesit të PD-së, Azem Hajdarit, shprehet se për lënien ose jo të mandatit të deputetit është konsultuar me personalitete të njohura politike të BE-së dhe SHBA-ve. Të gjitha kancelaritë perëndimore, SHBA, BE dhe vendet anëtare të saj kanë reaguar ashpër ndaj dorëzimit të mandateve të deputetëve të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Në reagimin e saj të parë që pas vendimit të PD-së, për shkak se ndodhej jashtë shtetit, zonja Hajdari shprehet se lënia ose jo e mandatit të deputetit është një vendim individual.

“Gjatë kësaj periudhe jam konsultuar me personalitete politike të Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfaqësues të aleatëve më të çmuar, seriozë e të vendosur në rrugën e vështirë të kombit tonë, që nga shpallja e pavarësisë, rrëzimi i regjimit komunist e më tej në proceset transformuese të zhvillimit ekonomiko-social dhe të integrimit euroatlantik. Mandatin e deputetit nuk e kam konceptuar kurrë si ‘një mjet të interesit vetjak’, i cili nuk duhet dorëzuar kurrsesi”, shkruan deputetja demokrate. Sipas saj, vendimet që ajo merr i bazon dhe në historinë politike të familjes së saj.

“Është e natyrshme që historia ime familjare ndikon sa në sjelljen time politike, aq edhe në perceptimin publik të saj. Kushtetuta e Shqipërisë e ka përcaktuar ‘heqjen dorë nga mandati’ të deputetit si vendim individual, pavarësisht kësaj unë nuk e ndiej veten aspak të shkëputur nga Grupi Parlamentar i PD-së dhe nga misioni i saj. Për shkak të karakterit dhe formimit tim, ‘vendimet’ i kam vlerësuar gjithnjë fort, duke iu kushtuar kohën, analizën dhe vëmendjen e duhur dhe ky rast është një ndër më të rëndësishmit”, shprehet Hajdari.

PROTESTA

Por deputetja demokrate i kujton lidershipit të PD-së se ishte ajo që kërkoi të dorëzonte mandatin e deputetit gjatë protestave njëmujore të studentëve, ndërsa për momentin e tanishëm e sheh këtë vendim kolektiv me shumë risqe. “Nuk ka kaluar kohë shumë e gjatë nga 8 dhjetori 2018, kur shpreha gatishmërinë time të sinqertë për të lënë mandatin e deputetit e për t’u bashkuar me studentët për kauzat e kombit, ‘për ndërtimin e një sistemi të vërtetë demokratik në Shqipëri’, por ky propozim ishte në një kontekst komplet të ndryshëm nga ai që është tani.

Bëhej fjalë për sakrificë politike individuale për t’iu ardhur në ndihmë studentëve në kauzën e tyre dhe jo për vendim kolektiv, i cili pritet të ketë risqe”, shprehet deputetja demokrate. Duke përfunduar këtë reagim, deputetja demokrate shprehet se qëndrimin e saj përfundimtar do ta bëjë publik shumë shpejt, por shton se do të jetë pranë demokratëve, pavarësisht vendimit që do të marrë. “Ju lutem të më mirëkuptoni, se nuk kam mundur të shprehem për këtë çështje prej mbrëmjes së të premtes që jam kthyer, për shkak të disa problemeve shëndetësore. Qëndrimin tim do ta bëj publik shumë shpejt. E kam shumë të qartë misionin tim si person politik, por edhe si qytetare, do të jem gjithmonë e rreshtuar përkrah me demokratët, të rinjtë, studentët dhe qytetarët shqiptarë, në interesin kombëtar për një Shqipëri demokratike dhe europiane”, shprehet në reagimin e parë të saj zonja Hajdari, pas dorëzimit të mandateve të deputetëve të PD-së.

Deklarata e plotë e Rudina Hajdarit
Është e natyrshme që historia ime familjare ndikon sa në sjelljen time politike aq edhe në përceptimin publik të saj.

Kushtetuta e Shqipërisë e ka përcaktuar “heqjen dorë nga mandati” të deputetit si vendim individual, pavarësisht kësaj unë nuk e ndiej vetën aspak të shkëputur nga grupi parlamentar i PD dhe nga misioni i saj.

Për shkak të karakterit dhe formimit tim, “vendimet” i kam vlerësuar gjithnjë fort duke i’u kushtuar kohën, analizën dhe vëmendjen e duhur dhe ky rast është një ndër më të rëndësishmit.

Për këtë, gjatë kësaj periudhe jam konsultuar me personalitete politike të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfaqësues të aleatëve më të çmuar, seriozë e të vendosur në rrugën e vështirë të kombit tonë, që nga shpallja e pavarësisë, rrëzimi i rregjimit komunist e më tej në proçeset trasformuese të zhvillimit ekonomiko-social dhe të integrimit euro-atlantik.

Mandatin e deputetit nuk e kam konceptuar kurrë si “një mjet të interesit vetjak i cili nuk duhet dorëzuar kurrësesi”.

Nuk ka kaluar kohë shumë e gjatë nga 8 dhjetori 2018 kur shpreha gaditëshmërinë time të sinqertë për të lënë mandatin e deputetit e për t’u bashkuar me studentët për kauzat e kombit, “për ndërtimin e një sistemi të vërtetë demokratik në Shqipëri”, por ky propozim ishte në një kontekst komplet të ndryshem nga ai që është tani. Bëhej fjalë për sakrificë politike individuale për t’iu ardhë në ndihmë studentëve në kauzën e tyre dhe jo për vendim kolektiv i cili pritet të ketë rrisqe.

Ju lutem të më mirëkuptoni se nuk kam mundur të shprehem për këtë çështje prej mbrëmjes të së premtes që jam kthyer për shkak të disa problemeve shëndetësore. Qëndrimin tim do t’a bëj publik shumë shpejt.

E kam shumë të qartë misionin tim si person politik por edhe si qytetare, do të jem gjithmonë e rreshtuar përkrah me demokratët, të rinjtë, studentët dhe qytetarët Shqiptarë në interesin kombëtare për një Shqipëri demokratike dhe Evropiane.

Rama porosi socialistëve: Bojkotojeni opozitën!

Edi Rama është i bindur se lëvizja ekstreme e ndërmarrë nga opozita nuk do të godasë pashmangërisht edhe qeverisjen e mbetur në parlament e vetme, e për këtë duket se kryeministri do ta pozicionojë veten po aq në ekstrem.

Mësohet se Rama i ka porositur deputetët dhe ministrat e tij që të mos dalin në asnjë studio televizive me ish deputetët e opozitës, të cilët tashmë i kanë djegur mandatet e tyre.

“Ata s’janë më pala tjetër e parlamentit, po një grusht politikanësh pa norma, që meritojnë përbuzjen e votuesve të tyre dhe refuzimin tonë për të debatuar me ta jashtë parlamentit”,- mësohet të jetë shprehur Rama për të tijët.

Por çfarë do të ndodhë me skenën politike, kur kampi maxhoritar dhe ai opozitar refuzojnë kategorikisht të dialogojnë mes tyre, qoftë edhe përmes debateve të “largëta” televizive?

Kujtojmë se pak ditë më parë Edi Rama tha se ishte pro dialogimit me opozitën, por duket se porosia që ai u jep socialistëve është krejt e kundërta./Express

Grabitet banesa e biznesmenit, tre persona të maskuar marrin kasafortën

Një banesë në fshatin Mengël të Njësisë Administrative Labinot në bashkinë e Elbasanit, ka rënë pre e hajdutëve në orët e para të mbrëmjes së djeshme. Gazetari Fatmir Popja ka bërë të ditur për Gazeta Shqiotare se persona të paidentifikuar kanë hyrë brenda një godine ku ndodhet një lokal dhe një banesë nga ku kanë marrë rreth 30 milionë lekë të vjetër.


Lokali dhe banesa konfirmohet se janë në pronësi të shtetasit Kastriot Puka.

Autorët e grabitjes dyshohet se kanë hyrë në katin e dytë që është banesa e familjes, ku kanë kryer edhe grabitjen. Autorët dyshohet të kenë qenë tre persona të maskuar, të cilët kanë marrë me vete edhe kasafortën ku ndodheshin fitimet nga xhiro ditore e javëve të fundit dhe më pas janë larguar me mjetin që kishin parkuar ngjitur me hyrjen e godinës në fjalë.

Policia ka sekuestruar pamjet filmike dhe ka nisur punën për identifikimin dhe kapjen e vjedhësve .

Njoftimi i Policisë

Në fshatin Mengël, Elbasan, është vjedhur banesa e shtetasit K.P., ku ka marrë një sasi lekësh. Në momentin e vjedhjes në banesë nuk ndodhej asnjë familjar. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprën penale “Vjedhja”.

Kriza politike – Kryeipeshkvi i Tiranës: Dialogu e vetmja zgjidhje

Këto ditë Shqipëria është tronditur nga protesta të forta kundër qeverisë. “Dorëheqja e kryeministrit socialist Edi Rama – deklaroi kreu i partisë demokratike shqiptare Lulzim Basha – është qëllimi i parë që duhet arritur”. Deputetët e partisë së Bashës, formimi kryesor i opozitës shqiptare të qendrës së djathtë, njoftuan zyrtarisht edhe dorëheqjen e tyre nga Parlamenti. Ky ishte një vendim i kundërshtuar fort nga Brukseli dhe Uashingtoni. Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Thorbjorn Jagland, bëri një apel në veçanti për partitë e opozitës që të mos largoheshin nga salla parlamentare: “Në demokraci – tha ai – Parlamenti është vendi kryesor për të bërë politikën e një vendi”. Opozita shqiptare nuk duhet të heqë dorë nga mandatet parlamentare “.

DEKLARATAT E SHUMICËS DHE OPOZITËS

Tensioni mbetet shumë i lartë. Kryeministri socialist Edi Rama në një fjalim televiziv, tha se shumica do të jetë gjithmonë e gatshme për të dialoguar me opozitën, por jo për të ndaluar një mandat legjitim qeveritar. “Votuesit – tha Rama – do të gjykojnë me votën e tyre, si në zgjedhjet administrative të qershorit të ardhshëm, si në zgjedhjet e vitit 2021.”

“Opozita – tha nga ana tjetër Lulzim Basha,- la mandatet. Sot ne jemi qytetarë të thjeshtë “. “Ne – shtoi kreu i Partisë Demokratike – nuk jemi popull i dhunës, por i respektuar për lirinë dhe demokracinë, dhe kurrë nuk do të pranojmë vjedhjen e votës popullore dhe qindra miliona nga xhepat e shqiptarëve”.

BE: PROTESTAT TË JENË PAQËSORE

Bashkimi Europian “riafirmon të drejtën e qytetarëve shqiptarë për të” demonstruar paqësisht dhe denoncon çdo retorikë të udhëheqësve politikë që nxisin dhunën “. Për Brukselin,” vendimi i opozitës për të vendosur lënien e mandateve prek në mënyrë serioze funksionimin e demokracisë në Shqipëri”. “Qeveria dhe opozita, shpreson BE, duhet të angazhuar në dialog” për të kapërcyer situatën aktuale, për të mirën e Shqipërisë dhe të qytetarëve të saj “.

GEORGE FRENDO: SITUATA TRAGJIKE, DIALOGU ËSHTË E VETMJA RRUGË

I Intervistuar nga Luca Collodi i Radio Vatikanit, kryepeshkopi metropolitan i Tiranës dhe Durrësit, George Frendo, thekson se është e domosdoshme të shkohet drejt dialogut, “rruga e vetme për një zgjidhje të drejtë”.

“Situata është tragjike, për fat të keq nuk ka dialog midis partive politike. Ndoshta është pak a shumë faji i të gjithëve. Ne kemi nevojë për një dialog, ne kemi nevojë për vullnet të mirë, vullnet për të dëgjuar së pari. Dhe gatishmëria për të dëgjuar gjithashtu supozon prirjen e përulur. Ne nuk duhet të karikaturojmë dialogun dhe madje politikanët duhet të kërkojnë këtë dialog, i cili është rruga e vetme për një zgjidhje të drejtë, e vetmja rrugë. Duhet të jetë një dëgjim i vërtetë. Nuk është as një kompromis i thjeshtë”,- thotë ai.

Zgjedhjet e parakohshme mund të jenë një zgjidhje për Shqipërinë?

Ndoshta po, por jo vetëm kjo. Kjo nuk është e vetmja herë që në Shqipëri ka situata tensioni. Prandaj, nga partitë politike është e nevojshme të kemi më shumë ndjenjën e të mirës së përbashkët. E mira e përbashkët gjithashtu kërkon një sakrificë të caktuar nga ana e të gjithëve.

A jeni thirrur të bëni një ndërmjetësim si Kishë?

Jo, jo … Është e vështirë të thërrasësh një person të fesë për të vepruar si ndërmjetës. Unë as nuk dua të jem politikan. Unë mund të jap disa këshilla, si kur fola kundër dhunës dhe vandalizmit dhe në favor të dialogut. Megjithatë, shumë shpesh përsërita: Politika mund të ndryshojë strukturat, por vetëm feja mund të ndryshojë zemrat.

Të hënën e ardhshme, kardinali i sekretarit shtetëror Parolin, do të vizitojë Shqipërinë…

Do të jetë vizita e tij e dytë. Ai ishte këtu shte në vitin 2014 së bashku me Papa Françeskun. Arsyeja e vizitës është bekimi për nisjen e punimeve të një spitali të financuar nga kisha. Ne iu jemi shumë mirënjohës sepse ata kanë hapur edhe universitetin katolik. Si universiteti dhe spitali janë të frymëzuar nga parimet katolike, të krishtera, por brenda universitetit ka më shumë jo-katolikë sesa katolikë. Pastaj universiteti bëhet gjithashtu një shenjë e asaj harmonie fetare aq tipike për Shqipërinë. Edhe spitali … Edhe spitali është i hapur për të gjithë, pavarësisht nga feja.

Temperaturat në -11 gradë: Ja situata e akseve rrugore në Shqipëri

Kujdes me qarkullimin ne akset rrugore ne zonat qe jane perfshire nga reshjet e bores, apo ngricat si pasoje e temperaturave te uleta, deri ne minus 11 grade celcius.

ARRSH jep kete informacion te fundit lidhur me situaten e akseve rrugore ne vend.

 

Njoftim mbi gjendjen e akseve kryesore të vendit

Në Qarkun Korçë gjate natës reshjet e borës u ndërprenë.
👉Temperaturat kanë qenë të ulëta -11 gradë.
🚜Kompania e mirëmbajtjes ka qenë në punë për pastrimin e rrugës dhe shpërndarjen e kripës.👨‍🔧
Qarkullimi bëhet pjesërisht me zinxhir – Qafa e Qarrit Korçë-Ersekë.
Kalimi në rrugën e Dardhës bëhet me zinxhir.
👉Në Veri qarkullohet pa probleme.
⚠️Rekomandohet përdorimi i zinxhirëve vetëm në km e fundit të aksit Ura e Cerenecit- Steblevë.

Pas video-skandalit lirohet polici i Gruemirës. “Nuk u gjet denoncuesi”

Polici Berhan Bajrakurtaj është liruar nga qelia, pas një vendimi që u mor nga Seksioni për të Mitur në Gjykatën e Shkallës së parë në Shkodër.

Gjatë seancës për rivlerësim mase për Bajrakurtajn, Gjykata vendosi masën e sigurisë “Detyrim paraqitjeje”, duke bërë që ai të lihet i lirë. Edhe në këtë seancë, polici Berhan Bajrakurtaj, i cili akuzohet për ngacmim seksual të një 15-vjeçareje në Njësinë Gruemirë, ka mohuar këto akuza duke i quajtur si shpifje.

 

Portalet publikuan një video-skandal të policit. Pretendimet e personit që ka bërë denoncimin janë se Berhan Bajrakurtaj ka ngacmuar seksualisht vajzën e saj 15- vjeçare, nxënëse në shkollën 9-vjeçare të Gruemirës. Pas arrestimit të policit dhe deri më tani, denoncuesi mbeti anonim dhe askush nuk ka shkuar në Polici për të denoncuar Berhan Bajrakurtajn. Në këto kushte, nga momenti i arrestimit dhe deri më tani, në Gjykatë nuk është vërtetuar se polici në fjalë ka ngacmuar seksualisht ndonjë vajzë 15- vjeçare.

EFEKTIVI

Vetë polici Berhan Bajrakurtaj, para Gjykatës, por edhe gjatë marrjes në pyetje, ka mohuar akuzat ndaj tij ndërsa ka pranuar se videot janë të tijat, por thjesht ato video janë bërë në banesën e tij jashtë orarit të punës dhe se nuk ia ka dërguar asnjë personi siç pretendohet. Edhe kësaj here, Berhan Bajrakurtaj ka deklaruar se celularin e tij pak ditë më përpara e ka pasur në një servis celularësh, ndërsa ka pohuar gjithashtu se nuk ka ditur që ta përdorë edhe aq mirë dhe se dikush ka abuzuar me telefonin e tij. Polici ende nuk e ka idenë se si mund të kenë dalë videot nga celulari i tij, ndërsa mohon kategorikisht se ka bërë ngacmime ndaj ndonjë vajze të mitur. Sipas policit, e gjithë kjo ngjarje është stisur për ta dëmtuar atë qoftë në punën e tij, por edhe në familje dhe se është e qëllimshme.

GJYKATA

Më 14 shkurt të këtij viti, Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër shpalli moskompetencën dhe ia kaloi çështjen Seksionit për të Mitur brenda kësaj Gjykate. Në masën e rivlerësimit nga Seksioni për të Mitur, avokati mbrojtës Xhelal Bajraktari, por edhe prokurori i çështjes Vat Staka, kërkuan masën “Detyrim paraqitjeje”, duke qenë se ndaj policit Bajrakurtaj nuk ka prova të mjaftueshme për ta lënë në “Arrest me burg”. Kërkesë që u pranua nga Gjykata, edhe për faktin se deri tani ende nuk është identifikuar denoncuesi anonim.

Protesta çdo të enjte përballë Parlamentit, Basha: Asgjë nuk na frenon

Partia Demokratike ka mbledhur Kolegjin e Kryetarëve për të vendosur strategjinë pas dorëzimit të mandateve. Mësohet se opozita do të protestojë çdo të enjte përballë Parlamentit.

Vendimi u mor nga kryetarët e Partisë Demokratike në rrethe. Pas anulimit të seancës së 21 shkurtit, seanca e ardhshme pritet të jetë më 28 shkurt, kur do të zhvillohet edhe protesta e opozitës.

Pas mbarimit të mbledhjes, Lulzim Basha ka dhënë një deklaratë për mediat ku është shprehur:

Më datën 28 Shkurt, më datën 7 Mars do të organizohen protesta kombëtare para asamblesë kriminale që ka uzurpuar godinën e  Kuvendit të Shqipërisë. Dhe më 16 Mars do të zhvillohet një tjetër protestë e madhe kombetare me qëllim rrëzimin e uzurpuesit të qeverisjes së Shqipërisë, Edi Ramës, protesta që do kenë për qëllim bashkimin e qytetarëve, për reagimin e papërgjegjshmëm të klikës kriminale që është kapur duke vjedhur votat e shqiptarëve. Hapi që kemi hedhur nuk është pa kthim vetëm për opozitën, është pa kthim edhe për Edi Ramën. Ne nuk do t’i lëmë zgjedhjet  e ardhshme në dorë të narko-mafias. Opozita do të marrë të gjitha masat, protestë pas proteste pa asnjë pengesë dhe frenim të zemërimit popullor deri sa ta shporrim këtë bandit dhe hajdut me karriget që ka vjedhur me paratë e krimit. Sezoni i protestave vetëm sa ka nisur”.

Opozita beson se nëpërmjet dorëzimit të mandateve dhe protestave të vazhdueshme, do ta detyrojë kryeministrin Rama që të dorëhiqet, duke i hapur rrugë krijimit të një qeverie tranzitore e cila do të organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme

Mbledhja e PD-së, Basha zbulon datat e protestave

Pak pas mbledhjesh së kolegjit të kryetarëve të PD-së kreu i kësaj partie Lulzim Basha në një prononcim për media zbulon edhe strategjinë e opozitës së bashkuar. Basha tha se me 16 mars do të organizohet një protestë kombëtare.

‘Në datën 16 mars do të zhvillohet një tjetër protestë e madhe kombëtare me qëllim rrëzimin e qeverisë. Në këtë protestë do të ketë bashkim dhe zemërim qytetar ndaj reagimit të papërgjegjshëm të kësaj klike kriminale. Akti që kemi marrë ne është pa kthim për opozitën, por është pa kthim edhe për Edi Ramën, siç e zbuluan edhe gazetarët investigativ italianë që Rama ka ndërmend të blejë zgjedhjet prap.

Narko mafia po përgatitet për të blerë zgjedhjet e ardhshme, por opozita dhe qytetarët do të marrë të gjitha masat, protestë pas proteste’, deklaroi ndër të tjera kreu i PD-së, Lulzim Basha.

Shqipëria absurde, nga bllokimi i rrugëve prej borës tek erërat e forta dhe zjarret

Një zjarr i përmasave të mëdha ra mesditën e kësaj të shtune në Tiranë.

Flakët u përhapën me shpejtësi në zonën e njohur si “Kodra e Diellit 2”, por fatmirësisht pranë vendit ku ra zjarri nuk kishte banesa.

Mësohet se zjarri është i qëllimshëm për pastrimin e tokës nga shkurret.

Pas disa minutave, flakët u shuan, ndërsa policia ndodhet në zonë për të bërë të mundur identifikimin dhe shoqërimin e personit që dogji kullotën.

Po sot vendi është përfshirë nga një valë i ftohti me reshje bore dhe erëra të forta.

Situata aktuale e opozitës, Basha merr hapin e radhës, mbledh Kolegjin e kryetarëve

Pas djegies së mandateve nga deputetët e opozitës dhe situatës së krijuar pas këtij vendimi, Lulzim Basha ka ndërmarrë një tjetër hap këtë pasdite.

Ai ka mbledhur në selinë e PD Kolegjin e kryetarëve për të vendosur dhe diskutuar se cilat do të jenë hapat e radhës së opozitës dhe çfarë do të ndodhë me protestat.

 

Mësohet se në këtë mbledhje janë të gjithë kryetarët e selisë së PD nëpër rrethe.

Më herët është paralajmëruar nga kryetari i PD por edhe nga palët e aleatëve të saj, se protestat do të vazhdojnë dhe se synohet që të përhapen edhe në rrethe, e jo vetëm në kryeqytet.

FOTOT – Tradhtoi PD-në, ja me cilët deputetë të PS-së shoqërohej Myslim Murrizi para refuzimit për dorëzimin e mandatit

Ndërkohë që e gjithë opozita e bashkuar vendosi që të djegë mandatet e deputetëve, duke firmosur kështu edhe të gjithë kandidatët e listave për deputetë në të gjithë qarqet, po pritej nëse ky vendim do të ishte unanim ose jo.

Në fakt, dy zëra kundër, të cilët u shprehën edhe në media, ishin Lefter Koka i LSI-së dhe Myslim Murrizi i Partisë Demokratike.

 

Murrizi njihet si deputeti, i cili nuk ua përtonte polemikave, por duhet thënë se nuk kanë munguar edhe polemikat brenda llojit, si dhe me gazetarë që janë shumë të afërt me Partinë Demokratike. Në media u tha se Murrizi është peng i njerëzve në pushtet dhe nuk mund t’i bashkohej vendimit të Partisë së tij.

Madje, u përmend edhe fakti se ka biznese me një deputet të Partisë Socialiste. Ne iu rikthyem arkivave tona, rreth 10 ditë më parë, kur nuk kishin filluar akoma protestat dhe gjetëm deputetin Murrizi duke dalë nga zyrat e Kuvendit.

Ai shihet i shoqëruar nga dy deputetë të Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja dhe Adnor Shameti, madje është në humor shumë të mirë në shoqërinë e tyre.

Basha tregon vendimin e Kryesisë: Protesta në të gjithë vendin, do ngrihen shtabe

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha tha se protestat do të vazhdojnë nga opozita deri në rrëzimin e qeverisë Rama.

Ai e bëri të qartë se vendimi i parë i i kryesisë së PD ishte hartimi i një kalendari për vazhdimin e protestave në të gjithë vendin. Ndërsa shtoi më tej se një tjetër vendim i dalë nga kjo mbledhje është edhe ngritja e shtabeve politike.

 

Do hartojmë një kalendar protestash popullore në të gjithë vendin dhe protestave kombëtare në Tiranë. Vendimi i dytë ka të bëjë me ngritjen e shtabeve politike dhe organizative në nivel qendror dhe lokal, të cilët në bashkëpunim me opozitën e bashkuar do bëjnë të mundur përparimin me këtë kalendar pune. Morëm vendimin për shpalosjen e programit të PD. Ne do t’i japim Shqipërisë vizionin tonë me besimin se Shqipëria do të ketë një të ardhme.

Bashkë me qytetarët shqiptarë do të marrim vendime se si do të shkojë kjo e ardhme. Politikat tona për pensionet, për biznesin, sipërmarrjen që të hapë vende pune, politikat tona për zhvillimin ekonomik dhe një vendi në krah të njerëzve.  Morëm vendimin për ndërthurjen e këtij turi protestash me një tur programi për Shqipërinë”, tha Basha pas mbledhjes së kryesisë për mediat.

Ylli Manjani: Zgjedhjet më 2017 u humbën për shkak të marrëveshjes antikushtetuse PD-PS dhe tani vuajmë pasojat

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani foli sot gjatë mbledhjes së Komitetit Drejtues Kombëtar, ku deklaroi se, sipas tij ajo që i duhet vendit dhe LSI-është kthimi i balancës dhe se duhet që LSI të fillojë përgatitjet për fushatën zgjedhore.

Jemi kundër establishmentit politik që Rama ka vendosur sepse këto gjërat janë pasoj e vitit 2017. Janë blerë vota e vërtetë por zgjedhjet nuk janë humbur nga kjo  po për shkak të marrëveshjes antikushtetuese PD PS dhe tani vuajmë pasojat. Kush flet sot për kushtetueshmëri. Nuk ka kushtetutë më. Sistemi politik në Shqipëri i dis-balancuar. Një njeri me 48% të votave në kulmin e vet politik, çfarë bëri? 48 % mori po si ka mundësi që ka 55% në parlament? Ja pra ku është vjedhja. Edhe ne kemi gabimet tona. Duhet ta kthejmë LSI në balancën politike.  Duhet kthyer balanca politike edhe në vend. Prandaj nuk kan kuptim as mandatet e opozitës sepse nuk ka balancë. Ky është qëllimi ynë, të kthejmë balancën nuk është çështja e edi Ramës, ai do iki e do vijë një tjetër. Ne duhet të kthejmë balancën ky është qëllimi. Unë nuk e di kur do jenë zgjedhjet, nuk e gjen dot në këtë situatë”, tha Manjani.

 

Ai ka komentuar edhe dorëheqjen e mandateve, duke e cilësuar si të vetmin veprim që mund t’i jepte përgjigje, sipas tij opozitës.

Jemi në fushatë elektorale dhe duhet të punojmë në dy plane. Ne nuk mund ti themi njerëzve që na ka ardhur radha e duhet të jemi në pushtet. Ne kemi një program, programi i LSI është shtet jo politikë, ekonomi me taksa të ulëta. Arsim sipas nevojave për studentët. Kemi një program fantastik për rininë, por pse nuk e di askush këtë? Vetëm me një gjest ekstrem mund ti japësh një përgjigje kësaj force politike. Ai ka dalë edhe pa brekë, ne e dimë këtë, po nuk përbën më lajm.  Thirrja ime është të fokusohemi te përgatitja për zgjedhje. Erjoni dhe Edvini dhe të gjithë erjonat dhe edvinat janë andej nuk kanë më punë me ne. Ajo që na bashkon në këtë moment është që të konvceptojmë se ka filluar fushata elektorale”, u shpreh Manjani.

Ngjela i thotë ministrit të Ramës, çfarë i ka thënë Rama për të në biseda konfidenciale

Mbrëmë gjatë një debati në emisionin televiziv “Open” kanë shpërthyer akuzat e drejtpërdrejta midis avokat Spartak Ngjelës dhe ministrit Eduart Shalsi.

Ngjela i është drejtuar Shalsit, duke i thënë se nuk ka ardhur për miting, por për debat.

“Unë largohem pasi nuk kam ardhur këtu për miting. Ty të ka dërguar Rama për të na dëbuar neve. Rama ma ka thënë vetë që ty të përdor për zhurmues nëpër studio televizive”, – është shprehur Spartak Ngjela.

Shqipja në Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare – Nga Prof. dr. Rami Memushaj

21 shkurti është Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare, që kremtohet në të gjitha vendet e botës. Qëllimi i caktimit nga UNESCO-ja të kësaj dite si dita e gjuhës amtare ka qenë vlerësimi i gjuhës si mjeti më i rëndësishëm për ruajtjen dhe trashëgimin e kulturës së çdo populli dhe i nevojës për të nxitur lëvrimin e gjuhëve amtare të popujve dhe të etnive dhe të popujve të botës, të cilat janë pjesë e thesarit kulturor të njerëzimit.

Duke u ndalur këtë ditë te gjuha shqipe, si gjuha amtare e shqiptarëve kudo ku ata jetojnë, vërejmë me kënaqësi se statusi i saj këta 100 vjetët e fundit ka ardhur duke u rritur. Nga gjuhë e ndaluar nën pushtimin otoman, me shpalljen e Pavarësisë më 28 Nëntor 1912, ajo u bë gjuhë zyrtare e shtetit shqiptar, ndonëse mbeti gjuhë e ndaluar për pjesën tjetër të kombit që u bënë me dhunë pjesë e shtetit grek dhe e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene. Kjo gjendje u përmirësua pas Luftës së Dytë Botërore, kur shqiptarët e Kosovës, të Maqedonisë dhe të Malit të Zi fituan të drejtën e shkollimit në gjuhën amtare dhe hapën shkolla të të gjitha niveleve deri te Universiteti i Prishtinës dhe katedra e gjuhës shqipe në Universitetin e Shkupit. Me kushtetutën jugosllave të vitit 1974, shqipja në këto troje u ngjit në shkallën e gjuhës zyrtare rajonale në Kosovë dhe të gjuhës zyrtare paralele në Maqedoni. Këtë fillim shekulli, me shpalljen e Kosovës shtet i pavarur, shqipja u bë gjuhë zyrtare kryesore, ndërsa në Maqedoni që nga vitet ’80 të shekullit të kaluar e deri një vit më parë, shqipja ra në statusin e gjuhës rajonale të papërkrahur nga shteti. Po vitin e kaluar, me miratimin nga parlamenti maqedonas i ligjit për gjuhën shqipe, kjo u njoh si gjuhë zyrtare rajonale, pra fitoi status zyrtar, po jo me të njëjtin status me maqedonishten, sikundër ia kishte njohur kushtetuta jugosllave. Përtej këtyre trevave, në Mal të Zi shqipja ruan statusin që ka pasur, si gjuhë rajonale e përkrahur nga shteti; në Greqi për popullsinë e trevave shqiptare brenda kufijve të këtij shteti dhe për arbërorët shqipja është gjuhë e papërkrahur nga shteti, por jo e ndaluar të mësohet nga fëmijët e emigrantëve; në  Itali shqipja është gjuhë e përkrahur e pakicës arbëreshe dhe e lejuar të mësohet nga fëmijët e emigrantëve shqiptarë, ashtu si në gjithë Europën; kurse në Turqi shqipja nuk mësohet nga fëmijët e emigrantëve.

Gjuha shqipe ka përparuar shumë këta njëqind vjet edhe për sa i përket shkallës së përpunimit të saj. Nga gjuhë me disa variante letrare e dy gjuhë zyrtare (toskërishtja në Shqipëri, gegërishtja në trojet shqiptare në ish-Jugosllavi), prej vitit 1972 ajo është ngritur në shkallën e gjuhës letrare kombëtare, të pranuar nga të gjitha pjesët e kombit. Ishte Konsulta e Prishtinës e prillit 1968 ajo që hodhi hapin e madh të bashkimit gjuhësor, kur intelektualët shqiptarë të atjeshëm, të udhëhequr nga motoja “një komb – një gjuhë letrare”, shpallën se shqiptarët në Jugosllavi pranonin “si gjuhë të vetën  letrare gjuhën letrare të vendit ëmë”. Kongresi i Drejtshkrimit e sanksionoi këtë vendim të tyrin, duke shënuar në këtë mënyrë fundin e periudhës kur shqipja shkruhej në disa variante dhe fillimin e jetës kombëtare shqipes letrare. Periudha nga Kongresi i Drejtshkrimit e deri më 1990 vlerësohet nga të gjithë si periudha e përpjekjeve për zotërimin dhe përdorimin e normave të gjuhës letrare në të gjithë veprimtarinë ligjëruese të shkruar e të folur. Në trojet shqiptare të ish-Jugosllavisë Konsulta u vuri detyrë shkollës enteve botuese, redaksive e gazetave dhe administratës zbatimin e normën letrare; kurse në Shqipëri, zbatimi i normave të gjuhës letrare nga shkolla, entet botuese dhe administrata shtetërore u bë i detyrueshëm me një vendim të vitit 1978 të Këshillit të Ministrave.

Pas viteve ’90, me përmbysjen e sistemeve politike njëpartiake dhe kalimin në pluralizëm, u vu re një rënie e theksuar e kujdesit për gjuhën nga të gjithë, nga shteti e shoqëria, që u pasua edhe me kontestime të gjuhës letrare e me përpjekje për krijimin e gjuhëve të reja letrare. Në praktikën e ligjërimit të shkruar e të folur, për fat të keq, kjo gjendje vijon edhe në ditët tona, kur vijon mungesa e pafalshme e kujdesit të shtetit për gjuhën, ndonëse kushtetutat e të dy shteteve shqiptare e shpallin mbrojtjen e gjuhës si detyrim shtetëror. Sa pak e mbrojmë gjuhën shqipe, kjo duket po ta krahasojmë gjendjen në këtë pikë me vendet fqinje. Maqedonia e Veriut ka një ligj për gjuhën i cili parashikon sanksione të rrepta për shkelësit e tij – institucione, redaksi apo ente botuese. Kurse as Shqipëria dhe as Kosova nuk kanë ende një ligj për gjuhën, ndonëse projektligji përkatës është depozituar prej kohësh në të dy kuvendet.

Si pasojë e mungesës së kujdesit shtetëror për gjuhën, në botimet, në gazetat e revistat, në televizionet dhe në dokumentacionin zyrtar vërehen shkelje të pafalshme të normave të gjuhës letrare. Më e dukshme kjo dukuri e shëmtuar është në fushën e fjalorit, ku vërehet një vërshim i fjalëve të huaja të panevojshme, madje i fjalëve “kopile”, si realizoj, akses e aksesoj, tentoj, mesazh etj., të cilat po e drunjëzojnë e po e venitin gjuhën, duke u zënë vendin dhjetëra fjalëve të bukura shqipe që përdoren në kontekste të ndryshme sintaksore; edhe në fushën e drejtshkrimit mospërdorimi i shkronjave ë dhe ç është tregues i injorancës kompjuterike, po edhe mungesë e respektit për alfabetin tonë, për shkronjat e të cilit është derdhur gjak. Në televizione po sundojnë modele akcentologjike të huaja, duke i theksuar fjalët e thjeshta e kompozitat në rrokjen e parë si në anglishte, kur modeli theksor i shqipes kërkon theksimin fundor të fjalës, veçanërisht të fjalëve të përbëra, në të cilat pa asnjë përjashtim theksohet përbërësi i dytë. Ky model i huaj theksimi ka prishur edhe melodinë dhe metrikën e frazës, që nuk tingëllon më si shqip, po si një surrogat shqip-anglisht-italisht.

Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, është rasti t’u drejtohemi shkollës, shtypit dhe të gjithë atyre që janë përfshirë në ligjërimin publik, me thirrjen që të tregojnë respekt për gjuhën tonë, e cila është tipari i vetëm që na dallon prej të tjerëve dhe na bashkon ne shqiptarët në një komb. Thirrja jonë i drejtohet edhe shtetit që të kujdeset për gjuhën, në radhë të parë, duke miratuar ligjin përkatës, i cili do t’u jepte zgjidhje shumë problemeve, duke krijuar një mjedis të pastër nga ndotjet gjuhësore e shkeljet e normave të gjuhës letrare. Dhe deri në miratimin e këtij ligji jemi të mendimit që shteti të kthejë në fuqi vendimin e Këshillit të Ministrave të vitit 1978.

Basha kthehet nga Vjena, mbledh Kryesinë e PD

Lulzim Basha, kreu i PD-së që prej mbrëmes së djeshme u nis drejt Vjenës, ku ka zhvilluar takime me disa zyrtarët, por duket se qëndrimi atje ka zgjatur vetëm pak orë. Burime për Gazeta Shqiptare kanë bërë të ditur se Basha ka thirrur në një mbledhje në orën 18:00 Kryesinë e PD.


Kjo për hapat që do të ndërmarrin demokratët për vazhdimin e protestës.

Pas takimeve me drejtuesit e disa institucioneve ndërkombëtare, me disa senatorë dhe anëtarë të Kongresit amerikan, me përfaqësues të grupit të Partisë Popullore Europiane në Asamblenë Parlamentare të OSBE, Lulzim Basha, nuk ka humbur kohë, por ka marrë rrugën e kthimit për në Tiranë.

Kujtojmë këtu se ditën e djeshme pas protestës para parlamentit, deputetët e opozitës dorëzuan zyrtarisht dorëheqjen nga mandati, me qëllim krijimin e një krize institucionale që do të detyrojë kryeministrin Rama të japë dorëheqjen dhe pranimin e krijimit të një qeverie tranzitore.

UNICEF: Vitin e shkuar 1550 minorenë shqiptarë emigruan vetëm në Itali pa familjet e tyre

Shqipëria është vendi kryesor i prejardhjes së emigrantëve minorenë të pashoqëruar që kanë mbërritur në Itali në vitin 2018.

Janë 1550 emigrantë minorenë shqiptarë që udhëtuan në Itali pa familjet e tyre gjatë vitit të shkuar e përbëjnë numrin më të lartë me 14.4 % të numrit të tyre të përgjithshëm.

UNICEF Italia ka prezantuar sot raportin vjetor mbi situatën e emigrantëve minorenë të pashoqëruar në Itali përgjatë vitit 2018 duke u bazuar në të dhënat e Ministrisë italiane të Punës dhe Politikave Sociale.

Ky vit ka shënuar një reduktim të dukshëm të numrit të emigrantëve minorenë që kanë mbërritur pa familjen e tyre në Itali, por sipas Unicef Italia ka pësuar ndryshime harta e prejardhjes së origjinës së tyre.

Nëse gjatë vitit 2017 numri i tyre më i madh vinte nga vendet e Afrikës Subsahariane perëndimor e Shqipërisa renditej në vendin e katër, në vitin 2018 Shqipëria e Egjipti janë vendet kryesore të minorenëve të pashoqëruar që kanë mbërritur në Itali përgjatë këtij viti.

Sipas raportit të bërë publik sot nga Organizata Botërore për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në Itali, gjatë vitit 2018 janë regjistruar 10.787 minorenë të pashoqëruar në Itali e vetëm 3.536 kanë mbërritur përmes rrugës detare të Mesdheut. 85% e tyre kanë moshën 16-17 vjec.

Minorenët shqiptarë janë të parët në numër.

Janë 1550 minorenë shqiptarë të mbërritur apo familjen e tyre në Itali e pas tyre renditen në vendin e dytë ata me origjinë nga Egjipti që janë 930.

Pas shqiptarëve dhe egjiptianëve renditen minorenët me prejardhje nga Gambia, Guinea, Eritreea, Bregu i Fildishtë etj.

Në vendin e 14 të kësaj renditen dhe 315 minorenët me origjinë nga Kosova.

Verifikohet një reduktim i dukshëm nga viti 2017 kur numri i tyre ishte 18.303 .

Por gjatë vitit 2018 regjistrohet dhe një numër i lartë , 5.229. minorenë të larguar nga qendra sociale pa ditur se ku ndodhen.

Sipas statistikave të Ministrisë italiane rezultojnë 37 minorenë shqiptarë të larguar nga qendrat e mbrojtjes sociale./ora news

Mbyllet gara, 27 kandidatë për SPAK-un

Në Shqipëri, shtyrja me dy javë e afatit për paraqitjen e aplikimeve për anëtarët e Prokurorisë speciale antikorrupsion, e njohur ndryshe si SPAK, duket se ka rezultuar e suksesshme. Janë 12 kandidatë që ju shtuan 15 të tjerëve që ishin ofruar përgjatë thirrjes së parë, duke e çuar në 27 numrin e përgjithshëm të atyre që do të konkurrojnë për 15 vendet në këtë prokurori.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë e kishte motivuar shtyrjen me faktin që “numri i kandidatëve të cilët kanë aplikuar nuk është ende i tillë që të mundësojë konkurrencën dhe përzgjedhjen e më të mirëve”.

SPAK-u së bashku me Gjykatën speciale, konsiderohen si dy organet kyçe për të shënuar një kthesë në luftën ndaj korrupsionit në Shqipëri. Përveç nënshtrimit ndaj procesit të rivlerësimit, anëtarët e Prokurorisë speciale do të duhet të plotësojnë dhe një sërë kriteresh të tjera të rrepta, përfshirë detyrimin që të gjitha komunikimet telefonike dhe elektronike, apo dhe llogaritë bankare të tyre dhe familjarëve të ngushtë, të mund të jenë nën kontroll të vazhdueshëm.

Përveç procedurave të vlerësimit që vetë Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të duhet të ndjekë për të parë plotësimin formal të kritereve, kandidatët do t’i nështrohen dhe procesit të rivlerësimit, dhe vetëm në përfundim të tyre do të bëhet e mundur ngritja e këtij institucioni. Me formimin e Prokurorisë dhe Gjykatës speciale, hapet dhe rruga për krijimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, e cila do të funksionojë sipas modelit të FBI-së amerikane. aa

“Do udhëheqim një betejë civile”, Basha për “Associated Press”: Ja si do të rivendoset demokracia

Kryetari PD-së, Lulzim Basha, në një deklaratë për prestigjiozen “Associated Press” pak para se të niste protesta, u shpreh se opozita e bashkuar do të udhëheqë një betejë civile, për të rivendosur, sipas tij, legjitimitetin dhe demokracinë në Shqipëri.

“Opozita parlamentare ka vendosur unanimisht të djegë mandatet parlamentare dhe sot është dita që do të depozitojmë këtë akt të paprecedent me qëllim ndarjen nga një parlament që nuk është produkt i votës së popullit, por është produkt, siç është ekspozuar nga biseda të përgjuara të publikuara nga media ndërkombëtare, i krimit të organizuar në bashkëpunim të hapur me qeverinë aktuale. Ne tani do të udhëheqim një betejë civile, paqësore e demokratike për të rivendosur legjitimitetin dhe demokracinë në Shqipëri”, tha Basha.

Berishës i hiqet mbrojtja nga Garda e Republikës, ish kryeministri: Një gjest frikacakësh!

Pas protestës së fundit të 16 shkurtit, ish-kryeministrit Sali Berisha i janë hequr bodiguardët të cilët e shoqërojnë prej vitesh.

Burime të “Panorama” pranë ish-kryeministrit bënë të ditur se shoqëruesve të Berishës i është komunikuar fill pas protestës që të rikthehen në detyrën në Gardën e Republikës, ku do të ushtronin shërbim në ruajtjen e institucioneve.

Mësohet se bodigurardët e ish-kryeministrit kanë paraqitur dorëheqjen pas këtij urdhërim dhe kanë dorëzuar armët e shërbimit.

Ndërkohë që sot e kanë shoqëruar privatisht, Sali Berishën në protestën para Parlamentit.

Berisha është paraqitur në protestë me shoqëruesit e zakonshëm, të cilët ndryshe nga herët e tjera në këtë protestë ata janë të pa armatosur.

Vetë Berisha në një prononcim për Ora Neës e ka cilësuar si akt frikacak vendimin për ti hequr shërbimin e ruajtjes fizike.

Berisha: Ndihem më i fortë dhe më i motivuar se kurrë. Një gjest frikacak dhe hakmarrës i Edi Ramës por unë jam mes qytetarëve më i fortë se kudo tjetër. Do të vazhdoj çdo minutë, çdo orë, çdo javë, çdo muaj betejën deri në çmontimin e narkoshtetit në Shqipëri derisa shqiptarët të votojnë të lirë siç u takojnë.

“Nesër Shqipëria para parlamentit”, Berisha: Këshilli Kombëtar vendosi rrëzimin e Kakistokracisë

Pasi Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike vendosi sot pro kërkesës për djegien e mandateve, ish-kryemninistri Sali Berisha shkruan në facebook se ky veprim vendosi përfundimisht “rrezimin e Kakistokracise, dorezimin e mandateve dhe mosnjohjen e paralamentit te ngritur mbi drogen, krimin, korrupsionin!”

Ai ka postuar disa foto ku shfaqet mes simpatizantëve të shumtë që ishin mbledhur sot përpara selisë blu, ndërkohë që pritej vendimi, duke pohuar se ditën e nesërme do të jetë në protestën e opozitës. “Ne mes te demokrateve para mbledhjes se Keshillit Kombetar qe vendosi rrezimin e Kakistokracise, dorezimin e mandateve dhe mosnjohjen e paralamentit te ngritur mbi drogen, krimin, korrupsionin! Neser Shqiperia para parlamentit! Sb”, shkruan Berisha.

Tiranë: Nisin Ditët e Kujtesës kundër komunizmit

Ilirian Agolli

Sot në përvjetorin e 28 të rrëzimit statujës së diktatorit Enver Hoxha në qendër të Tiranës nga lëvizja studentore antikomuniste e dhe banorët e kryeqytetit, Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë nisi konferencën Ditët e Kujtesës.

Krahas shumë studiuesve, autorëve të librave me kujtime dhe protagonist të atyre ngjarjeve, drejtuesja e Institutit Dr. Jonila Godole tha se rrëzimi i statujës së diktatorit Enver Hoxha, më 20 shkurt 1991 shënon simbolikisht rënien e diktaturës në Shqipëri.

Studimi kryesor erdhi nga historiani i njohur Bernd J. Fischer me temë “Shqipëria dhe Rënia e Komunizmit në Europën Lindore”.

Ai tha se e fundit në radhën e vendeve ish-komuniste që rrëzuan atë regjim ishte Shqipëria, sipas tij, vendi më i dhunuar nga diktatura dhe më i izoluar nga të gjithë të tjerët, dhe për shumë arsye ishte unike në ndryshim nga të tjerët.

Zoti Fisher tha se brutaliteti i regjimit ishte aq i lartë sa ky brutalitet vështirëson edhe sot rrjedhën e tranzicionit shqiptar. Brutaliteti ishte një nga arsyet dhe e vet bllokimit të diktaturës, tha ai.

“Kishte shumë faktorë në këto zhvillime dhe një prej tyre por një prej këtyre ishte fakti që vendi kishte pak ose pothuajse asnjë disident. Si ka thënë Fatos Lubonja, Shqipëria nuk kishte disident politikë dhe ka ndryshim të madh midis disidentit dhe viktimave të regjimit, citoi ai. Në shqipëri kishte vetëm viktima të regjimit, që nuk frymëzonin të tjerët, por përkundrazi me gjendjen e tyre i frikësonin të tjerët” – tha zoti Fischer. – Pa individë dhe pa institucione disidence të brendshme, Shqipëria kishte si shembull vetëm modelet dhe ngjarjet që ndodhën në vendet e tjera ish komuniste të lindjes. Dhe qytetarët shqiptarë këtë bënë për t’i dhë fund regjimit komunist; ndoqën shembujt e lindjes dhe dëgjuan këshillat nga faktorët e jashtëm”.

Në Ditët e Kujtesës u publikua edhe libri “Mes apatisë dhe nostalgjisë” me kujtime nga protagonistë dhe viktima të atyre ngjarjeve, ndërsa ISKK publikoi 11 botime me dokumenta dhe studime mbi ato ngjarje të dhunshme.

Rrëzimi i monumentit të Enver Hoxhës erdhi pas një greve të gjatë urie të studentëve të UT, që kërkonin heqjen e emrit të diktatorit nga Universiteti i tyre.

Protesta e opozitës, Ruçi thotë se e anulon seancën e parlamentit

Në Shqipëri, kryetari i parlamentit Gramoz Ruci, tha se ka vendosur të anulojë zhvillimin e seancës së parlamentit të enjten, për t’i lënë kohë opozitës që të reflektojë për vendimin e saj për dorëzimin e mandateve, por edhe pas sinjalizimeve nga policia për mundësinë e akteve të reja të dhunës gjatë protestës që opozita ka njoftuar përpara selisë së parlamentit. Policia njoftoi të mërkurën se ka të dhëna se synohet hyrja me forcë në sallën e parlamentit.

​“Eshtë detyra jonë t’i krijojmë opozitës hapësira kohore reflektimi dhe mundësi rikthimi në rrugën e arësyes. Në këto kushte, duke pasur parasysh apelin e partnerëve tanë strategjikë, duke pasur parasysh informacionet e organeve ligjzbatuese dhe të inteligjencës, duke ndjekur qëllimin më të lartë të ruajtjes së integritetit të Kuvendit të Shqipërisë, të deputetëve dhe të sallës së Kuvendit, ftoj kolegët deputetë, anëtarë të të gjithë grupeve parlamentare, të mirëkuptojnë vendimin tim për të mos zhvilluar seancën plenare të ditës së enjte, datë 21 shkurt”, deklaroi sot pasdite kryetari i parlamentit Gramoz Ruçi.

Opozita paralajmëroi që të shtunën e kaluar organizmin e një proteste nesër përpara parlamentit. Sot policia përmes një deklarate u shpreh se “ka të dhëna për nxitje të dhunës dhe organizime me natyrë kriminale. Synohet hyrja me forcë në sallën e Parlamentit, duke ushtruar dhunë mbi personelin që ka detyrimin ligjor të sigurojë mbrojtjen e institucionit themelor të demokracisë”. Policia theksoi gjithashtu se “forcat e rendit dhe sigurisë janë të gatshme t’i përgjigjen me forcën e ligjit dhe në proporcionalitet të plotë, çdo veprimi të paligjshëm apo akti dhune”.

Protesta e nesërme e opozitë duket se ka qenë në qendër dhe të takimit që ambasadori i Delegacionit europian në Tiranë, Luigi Soreca pati sot me kryetarin demokrat Lulzim Basha.”Nesër është një ditë e rëndësishme dhe ne presim të mos ketë dhunë dhe që proceset demokratike të vijojnë”, tha zoti Soreca, duke shtuar se i kishte shpjeguar zotit Basha “qëndrimin e Bashkimit europian dhe se ky qëndrim është shumë i qartë”. Dje në një intervistë për Top Channel, zoti Soreca e quajti kundërproduktiv vendimin e opozitës për dorëzimin e mandateve duke theksuar nevojën që partitë politike të përqëndrohen te reformat e në veçanti te ajo në drejtësi.

Një ditë më parë, ambasada amerikane reagoi me tone të forta ndaj opozitës duke “i bërë thirrje të gjithë deputetëve të ngrihen mbi sherret politike, të refuzojnë thirrjet për të braktisur mandatet e tyre dhe të mbrojnë idealet dhe parimet që janë me rëndësi thelbësore për çdo demokraci të fortë”. Në deklaratën e saj, ambasada nënvizonte se “kërcënimet nga Partia Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe parti të tjera opozitare për të braktisur mandatet e tyre në parlament minojnë parimet bazë të demokracisë dhe sabotojnë përparimin e rëndësishëm që Shqipëria ka arritur në zbatimin e ligjit dhe qeverisjen e përgjegjshme”.

Nga deputetët te kandidatët, si do të dorëzohen mandatet e PD-së

JUXHIN MUSTAFARAJ – Kryesia e Partisë Demokratike ka vendosur të mbështesë vendimin politik të Grupit Parlamentar Demokrat për djegie të mandateve.

Duke e cilësuar si akt ekstrem, por të domosdoshëm për situatën, në të cilën ndodhet vendi, kryesia e PD-së vendosi që t’ia kalojë vendimmarrjen përfundimtare Këshillit Kombëtar të PD-së në lidhje me djegien e mandateve.

Në mbledhjen e kryesisë së PD-së u diskutua edhe lidhur me modalitetet se si ligjvënësit e opozitës do të heqin dorë nga mandatet parlamentare të marra në zgjedhjet e 25 qershorit 2017. Një grup pune i përbërë nga juristët Gazment Bardhi, Çlirim Gjata, Oerd Bylykbashi, Enkelejd Alibeaj, Arben Ristani dhe Ivi Kaso, janë duke punuar për një dokument që të ketë gjithë vlerën juridike për ta përkthyer vendimin politik të PD-së dhe opozitës së bashkuar në një akt të rregullt ligjor.

PROCEDURA

Në mbledhjen me dyer të mbyllura të Kryesisë së PD-së është rënë dakord që 43 mandatet e Partisë Demokratike të dorëzohen përmes deklarimeve individuale nga çdo deputet. Deklarata, e cila pritet të jetë gati ditën e sotme pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar, do të jetë e të njëjtit format për të gjithë deputetët. Sipas burimeve nga grupi i punës, deklarata do të jetë e formatuar me një tekst politik që shpreh edhe motivet politike, për të cilat ligjvënësi heq dorë nga mandati i marrë nga zgjedhjet e 25 qershorit.

“Akti formal i dorëzimit do të jetë një deklaratë me motivacion politik përse deputetët heqin dorë nga mandati dhe përse ata që janë në listat shumemërore për deputetë heqin dorë nga e drejta për t’u konsideruar si kandidatë për deputetë”, sqaruan për “Panorama” burime nga selia blu.

Pra, do të jenë 43 deklarime të deputetëve të PD-së dhe aleatëve që dolën nga listat e demokratëve në zgjedhjet e 25 qershorit, aktet që do të finalizojnë djegien e mandateve. Fillimisht do të jenë deputetët ata që do të firmosin aktet e dorëheqjes dhe më pas do t’i kërkohet edhe të gjithë kandidatëve në listat e PD-së të kryejnë të njëjtën procedurë. Deklarimet e dorëheqjes deputetët do t’i dorëzojnë në Kuvendin e Shqipërisë dhe do të jetë ky institucion, i cili do t’ia kalojë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për ta njoftuar edhe mbi vakancat e krijuara.

Ndërkohë që të gjithë kandidatët në listën shumemërore të PD-së për deputetë aktet e dorëheqjes do t’i dorëzojnë në KQZ. Në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së, deputetët demokratë mbështetën vendimin politik të propozuar nga Basha për djegie të mandateve. Ky vendim është mbështetur edhe nga të gjithë aleatët opozitarë, përfshirë edhe LSI, të cilët kanë shprehur vullnetin e tyre për të djegur mandatet parlamentare.

PANORAMA


Send this to a friend