VOAL

VOAL

“Mallkimi” që ndjek pas Rinasin – 3 grabitje spektakolare në 3 vjet

Grabitja e ditës së sotme ishte më e madhja e ndodhur në Shqipëri. Tre persona arritën të marrin rreth 10 milion euro në aeroportin, në Rinas. Por kjo nuk është hera e parë që grabitje si ato që kemi parë vetëm nëpër filma ndodhin tek “Nënë Tereza”. Në vitin 2016 në pistën e avionit u grabitën plot 990 mijë euro. Ndërsa në shkurt të vitit 2017, u grabitën fare pranë Rinasit 2.7 milion euro, që do të dilnin nga Shqipëria.

9 shkurt 2017

Ngjarja ndodhi në Qafë-Kashari, pranë rrugës për në Rinas. Pesë persona të armatosur dhe të veshur me kamuflazh të zi arritën të merrnin nën kërcënimin e armëve shumën prej 2.7 milion euro Pesë autorët pasi goditën një prej blindave, thyen me mjete të forta një prej xhamave të makinës dhe nën kërcënimin e armëve kanë marrë thasët me para. Më pas ata kanë djegur makinat e tyre pranë urës së Limuthit, afër Qafë-Kasharit.

30 qershor 2016

Dy personat që çanë rrethimin e aeroportit në 30 qershor 2016 dhe hynë brenda territorit të tij me një automjet tip “Benz-Mercedez“ ngjyrë të kuqe, ishin të armatosur. Ata kanë pasur dhe një bashkëpuntor të tretë, i cili i priste jashtë pistës së aeroportit, me një makinë të vjedhur. Ky person, ka pasur rolin e ndihmësit, për largimin e të tyre dhe humbjes së gjurmëve. Gjatë hetimeve, prokurorët kanë zbuluar se tre autorët kanë përdorur katër makina të vjedhura. Tre personat arritën të merrnin plot 990 mijë euro.

Gazetari: Autorët e grabitjes në Rinas duhen gjetur në Ministrinë e Brendshme

Gazetari Denis Dyrnjaja ka reaguar pas grabitjes në Rinas, ku dyshohet se u vodhën 10 milionë euro, që do të dërgoheshin në Vjenë.



Gazetari shprehet se histori të tilla mund të dëgjohen vetëm në Somali, Ruanda ose Nigeri, ndërsa thekson se shteti ka falimentuar.

Ai deklaron më tej se “autorët e vërtetë” të grabitjes së Aeroportit duhen gjetur në Ministrinë e Brendshme.

Postimi i plotë:

“Autorët e vërtetë” të grabitjes së Aeroportit duhen gjetur në Ministrinë e Brendshme!

Në Somali, Ruanda ose Nigeri mund të dëgjosh histori ku bëhen grabitje në aeroport, grabitje bankash, vendosje eksplozivi, të digjen makina, të vriten njerëzit dhe të flitet për larje hesapesh. Ndërsa në Europë kjo ndodh vetëm në Shqipëri. Grabitja e Aeroportit për të disatën herë është faliment i plotë i shtetit, strukturave të sigurisë, atyre të transportit dhe shumë hallkave të varësisë e ndërvepruese mes tyre. Dhe më dëshpëruese është situata, kur të thonë se ky është një perceptim sepse statistikat tregojnë se krimi është nën kontroll.

Në çdo vend me përgjegjshmëri minimale Ministri i Brendshëm ose jep dorëheqjen, ose kërkon shkarkimin e menjëhershëm të Drejtorit të Policisë. Nuk mban më ujë pilafi i propagandës. Është thyer rëndë siguria publike, madje dhe kombëtare dhe jo një, por shumë herë. Të mendosh se ata që sot janë grabitës, nesër mund të jenë terroristë që rrëmbejnë avionin. Kush i ndalon? Askush!

Dikush duhet të përgjigjet dhe mbajë përgjegjësi për këtë papërgjegjshmëri. Kujt i duhen përgëzimet për menaxhimin e protestës së opozitës, kur të plas ky skandal e të bën lajm botëror si shtet ku bandat bëjnë ligjin jo vetëm në provinca e qyteza por edhe në kryeqytet, madje në aeroportin e vetëm ndërkombëtar?!Këtë herë Ramës nuk ja ka fajin opozita. Dikush duhet të paguaj kundërfaturën e kësaj grabitjeje të turpshme dhe kësaj situate të rëndë kriminale në vend. Duhet reagim, energjik, efikas, i shpejtë dhe konkret. Dhe këtu nuk është fjala të ngrihen ca postblloqe e të dalë policia për ca ditë me rradhë nëpër rrugë sa ngjarja të harrohet.

Duhet vizion koncept dhe njerëz me nivel profesional dhe me integritet, “shërbëtorë” të detyrës jo arrogantë dhe burokratë që kanë marrë çelsa zyrash që iu duken si çifligje. I është veshur kostumi ministror njeriut të gabuar. Ministria e Brendshme është shndërruar në vatër shurdhërie, prepotence dhe paaftësie. Duhet spastruar e gjithë struktura e apratçinjve që kanë shndërruar në realitet shprehjen duket më i rëndë bishti se sqepari!

Gazetarja Lala: Si ndodhi grabitja e 10 milionë eurove në Rinas

Gazetarja Klodiana Lala ka dhënë detaje për grabitjen e ndodhur sot në Aeroportin e Rinasit. Gazetarja Lala, për “News 24” tha se paratë janë marrë nga barku i avionit.

“Grabitja ka ndodhur brenda Aeroportit të Rinasit. Në kohën që disa kompani kanë dorëzuar paratë, grabitësit kanë hyrë në avionin me pasagjerë dhe kanë marrë paratë. Paratë u morën nga barkui avionit. Në avion kanë qenë 160 pasagjerë, të cilët do të shkonin në Vjenë. Grabitësit kanë përdorur një furgon ku shkruhej ‘Hetimi tatimor’. Grabitësit të maskuar dhe me kallashnikovë kanë marrë paratë. Grabitësit kanë marrë paratë, pasi kanë drejtuar armët te punonjësit e sigurisë, e këta të fundit janë ulur në tokë. Furgoni ishte pa targa. Policia ka hyrë më vonë në avion. Policia ka pyetur pasagjerët nëse kishin pamje filmike. Gjatë daljes, grabitësit kanë shkëmbyer zjarr me policinë. Njëri prej grabitësve ka mbetur i vdekur. Trupi i pajetë i njërit prej grabitësve u gjet te Ura e Brarit, ndërsa një mjet i dytë u gjet i djegur pranë Kamzës. FNSH dhe të gjitha forcat janë në gatishmëri, madje edhe helikopterë. Janë duke u marrë shenjat e gishtave të personit që u gjet i vdekur, për të parë nëse ka apo jo precedent penal dhe janë duke marrë informacion për lidhjet e tij shoqërore e familjare. Vetëm kështu mund të zbulohen grabitësit, e grabitjes më të madhe të ndodhur ndonjëherë në vend”, tha gazetarja Lala në “News 24”.

Policia jep detajet për vjedhjen në Rinas: Është vrarë një prej grabitësve (video)

Informacion paraprak

Pak minuta më parë, pranë aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”, në Rinas, dyshohet se disa persona ende të paidentifikuar, me maska dhe armë pasi kanë thyer derën e rrethimit që përdoret nga shërbimet zjarrfikëse, kanë grabitur një sasi lekësh në pistën e avionit dhe janë larguar.

Në ndjekje të tyre janë vënë forcat e FNSH dhe ato të Policisë Kufitare të Rinasit.

Gjatë ndjekjes në një rrugë dytësore, autorët kanë shkëmbyer zjarr me Policinë, e gjatë këtij shkëmbimi ka humbur jetën njëri prej autorëve të grabitjes. Policia ka gjetur ndërkohë dhe bllokuar një mjet furgon.

Forca speciale policore si RENEA e FNSH, të ndihmuara nga një helikopter janë ende në ndjekje të autorëve të grabitjes.

Të angazhuara në operacionin e gjerë janë edhe forca nga Policia e Tiranës, Lezhës, Dibrës e Durrësit.

Basha: Ja për çfarë biseduam me Palmerin

Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka zbardhur takimin e zhvilluar ditën e sotme me zëvendës Ndihmës Sekretarin e Departamentit të Shtetit për Evropën, Matthew Palmer.

Në takimin me dyer të mbyllura, që zgjati rreth një orë, në një postim në Twitter, Basha shkruan se ata zhvilluan një diskutim të hapur rreth mungesës së Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, mosndëshkimit, krimit, korrupsionit, krizës politike etj,.

“Diskutim i hapur dhe konstruktiv me Matthew Palmer rreth situatës: Mungesa e Gjykatës Kushtetuese dhe e Gjykatës së Lartë, mosndëshkimit, krimit, korrupsionit dhe kriza politike. Angazhim i përbashkët për demokracinë, sundimin e ligjit, qeverisjen e mirë, si e vetmja rrugë drejt stabilitetit dhe Shqipërisë në BE”, shkruan Basha.

Palmer nis vizitën në Tiranë

Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën Matthew Palmer nisi dje vizitën e tij në Tiranë, me një takim të gjatë me kryeministrin Edi Rama. Vizita e tij e gjen Shqipërinë në një moment politik të pa precedent, kur opozita është tërhequr nga parlamenti duke dorëzuar në bllok mandatet e deputetëve të saj dhe ka zgjedhur protestat për të kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie kalimtare që të përgatisë vendin për zgjedhje të parakohëshme.

Eshtë pikërisht kjo arsyeja që vizita e zotit Palmer shihet me një interes të veçantë në Tiranë, ndonëse sipas burimeve diplomatike, bëhet fjalë për një vizitë të programuar më parë dhe pjesë e një turi diplomatik të tij në disa vende të rajonit.

Në muajin shkurt, pas protestës së dhunshme të opozitës para selisë së qeverisë dhe bërjes publike të vendimit për të “djegur mandatet”, zyrtari amerikan pati telefonata me dy drejtuesit kryesorë të opozitës, kryetarin demokrat Lulzim Basha dhe kryetaren e Lëvizjes socialiste për Integrim Monika Kryemadhi.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit i tha Zërit të Amerikës në atë kohë, se zoti Palmer “i këshilloi” dy kryetarët e partive “kundër dorëheqjeve të koordinuara dhe në masë të deputetëve të opozitës nga parlamenti, pasi kjo do të dëmtonte përpjekjet për reforma dhe do të dëmtonte një institucion të rëndësishëm të demokracisë” si dhe të hedhin poshtë dhe të dënojnë publikisht gjithë dhunën.

Takimi i zotit Palmer me kryeministrin Rama ka zgjatur rreth 90 minuta. Ka qenë vetë zoti Rama i cili ka njoftuar shkurtimisht mbi temat e bisedës përmes një postimi në Twitter. “Marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale, integrimi europian i Shqipërisë, dialogu Kosovë-Serbi dhe situata politike në vend, në një bashkëbisedim të frytshëm që na gjeti në dakordësi të plotë me zv/Ndihmës Sekretarin e Shtetit, Matthew Palmer”, shkruan zoti Rama duke e renditur çështjen e zhvillimeve të brendshme politike, në fund të listës së temave të diskutuara më zyrtarin amerikan, duke hedhur poshtë kështu zërat se synimi i vizitës ishte një përpjekje për zgjidhjen e krizës politike.

Zoti Palmer do të vijojë sot takimet me Presidentin Ilir Meta dhe drejtues të opozitës.

Jepet pretenca për Klement Balilin: 12 vite burg

Pas dështimit në tre seancave gjyqësore, prokurori Ened Nakuci dha sot pretencën për Klement Balilin. Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi dënimin e tij me 18 vite burg dhe duke pranuar gjykimin e shkurtuar, dënimin përfundimtar me 12 vjet burg.

Ish-zyrtari i lartë akuzohet për trafik narkotikësh në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, fshehje të pasurisë dhe pastrim të parave. Si prova fajësie u renditen përgjimet telefonike të realizuara nga autoritetet greke në kuadër të një hetimi që po kryhej atje për një organizatë kriminale që trafikonte hashash e kokainë.

Gazetarja Klodiana Lala bëri me dije për “BalkanWeb” se nëse gjykata do të vendosë të shpallë fajtor Balilin dhe të pranojë pretencën e prokurorisë, ai përfiton edhe nga gjykimi i shkurtuar, duke u dënuar me 12 vite burg.

Sipas Prokurorisë, gjatë hetimit nga homologët grekë është identifikuar një person me emrin Keli, që më vonë ka rezultuar se ishte Kelmend Balili. Ky i fundit sipas institucionit të akuzës, ka patur rolin e organizatorit në trafikimin e një sasie prej rreth 600 kg hashash nga Shqipëria drejt Greqisë, atje ku edhe u arrestuan dy shtetas shqiptarë. Në kërkesën për gjykim binte në sy fakti, se Balili ishte kallëzuar nga ILDKPI për fshehje pasuria, disa muaj pasi ishte shpallur në kërkim.

Kelmend Balili jetoi për dy vite në arrati për t’u vetëdorëzuar vetëm disa javë më parë, kur dosja penale e tij u dërgua për gjykim. Ai mohon të jetë përfshirë në veprimtari kriminale dhe këmbëngul për pafajësi.

Merr flakë shtëpia në Pukë – Digjen burrë e grua, shpëtojnë 4 fëmijët

Një ngjarje tragjike është regjistruar në Pukë, ku nga djegia e shtëpisë kanë humbur jetën burrë e grua.

Petrit dhe Dava Ndoj, respektivisht 46 dhe 35 vjeç po flinin në katin e dytë të banesës, në momentin kur shtëpia e tyre, në lagjen ‘Va Shënkoll’ të fshatit Breg, është përfshirë nga flakët rreth orës 03:45 të mëngjesit të kësaj të hëne.

Ndërkohë 4 fëmijët dhe dy gjyshërit e tyre kanë mundur të shpëtojnë mrekullisht. Ata janë hedhur nga dritarja për të shpëtuar, duke marrë vetëm dëmtime të lehta.

Fëmija më i madh 15 vjeç, ka arritur të shpëtojë nga flakët gjyshen e cila ishte e paralizuar dhe nuk mund të ecte dot.

Fëmijët të moshës 15, 13, 12 e 11 vjeç ndodhen në Spitalin e Pukës me dëmtime të lehta.

Nga informacionet paraprake dyshohet se zjarri ka rënë për shkak të një shkëndije elektrike.

Mësohet se alarmin për zjarrin e ka dhënë i zoti shtëpisë Pal Gjoni 82-vjeç, i cili kishte dëgjuar zhurmën e tjegullave.

Trupat e pajetë të çiftit të bashkëshortëve u gjetën pranë njëri-tjetrit teksa kishin tentuar të dilnin nga dhoma.

Tirana më e shtrenjta në botë, një shtëpi afër qendrës s´mund ta blejnë as më të paguarit (tabelat)

Kostot e jetesës përfshijnë shumë prej gjërave themelore të përditshmërisë, si të ushqyerit, transporti dhe energjia elektrike që shpenzojmë në shtëpi. Shpesh shtëpitë zënë pjesën e luanit te struktura e kostove. Shqipëria është shembulli i kësaj, ku me çmimet e shtëpive në rritje në zonën afër qendrës Tirana po bëhet më pak e përballueshme, jo vetëm për individët me të ardhura të ulëta dhe të mesme, por edhe për më të paguarit. Për fat të mirë, shtëpitë në periferi janë ende të lira…


Shqipëria është vendi më i shtrenjtë në botë edhe për punonjësit më të mirë paguar për të pasur një shtëpi në zonën e qendrës, e matur kjo sipas fuqisë blerëse. Një profesionist të punësuar do t’i duhen mesatarisht duhen mesatarisht 50 vite për të pasur një shtëpi në zonën e qendrës. Nga të dhënat e INSTAT, të paguarit më mirë në Shqipëri janë profesionistët e punësuar në sektorin financiar dhe të sigurimeve, me një pagë mesatare prej 104,000 lekë. Por sa vite do t’u duhen atyre të blejnë një shtëpi në qendër. Një shtëpi rreth 60 m2 në zonat e qendrës, me çmim mesatar 2,500 euro, kushton 150 mijë euro. Ndërsa prej të ardhurave mujore, një profesionist i punësuar përllogarit rreth 3060 euro të ardhura të disponueshme vjetore. Të ardhurat e disponueshme vjetore janë të ardhurat që mbesin pasi zbriten të gjitha shpenzimet dhe taksat.

Ky raport i çmimit të një apartamenti në qendër përkundrejt të ardhurave të profesionistëve me pagën më të lartë në Shqipëri është 49 vjet, pra rreth gjysmë shekulli do t’ju duhet për të blerë një shtëpi në qendër, sipas përllogaritjeve të Monitor, bazuar në vlerën në kohë të parasë.

Brenda Unazës së Vogël të Tiranës, sipas përllogaritjeve të Monitor, profesionistit do t’i duhen mesatarisht 23 vite e gjashtë muaj. Çmimi mesatar i apartamenteve brenda unazës së vogël është 1200 euro, ndërsa një apartament 60 m2 kushton 72 mijë euro.

Jashtë qendrës, ku një apartament ka një çmimi mesatar prej 700 euro, një profesionisti do t’i duhet mesatarisht 13.7 vite për të blerë një apartament me vlerë 42 mijë euro dhe sipërfaqe 60m2.

Në krahasim me rajonin Tirana është shumë më e shtrenjtë, teksa tek ne pagat për profesionistët janë më të ulëta dhe shtëpitë më të shtrenjta. Përgjithësisht, aktiviteti ekonomik me pagat më të larta në rajon është ai i sektorit financiar dhe bankar, ku në Shqipëri paguajnë mesatarisht në muaj rreth 850 euro, sipas INSTAT, ndërsa në Maqedoni, Serbi e mal të Zi luhaten në 1100-1380 euro, për të njëjtin aktivitet ekonomik. Ndërkohë shtëpitë në qendër në Tiranë janë shtrenjtuar së fundmi, duke ia kaluar dhe Beogradit, që dikur ishte më i shtrenjti.

Në Serbi, një profesionisti me pagën më të lartë sipas statistikave zyrtare të Serbisë, do t’i duhen rreth 30 vite për të blerë një apartament në qendër të Beogradit. Paga mesatare më e lartë për profesionistët që punojnë programues dhe IT dhe në sektorin bankar e financiar është rreth  1300 euro. Me të njëjtën metodologji, Monitor ka përllogaritur se të ardhurat e disponueshme vjetore janë 4600 euro. Në qendër të kryeqytetit një apartament 60 m2 kushton 141 mijë euro, ndërsa çmimi mesatar për metër katror të rezidencave referuar të dhënave nga agjencitë ndërkombëtare imobiliare   është 2300 euro. Me të njëjtën pagë, profesionistit në Serbi do t’i duhen 16 vite për të blerë një shtëpi jashtë qendrës së Beogradit.

Në Maqedoni llogaritjet tregojnë se brenda qendrës individët më të mirë paguar atje mund të blejnë një shtëpi për rreth 22.7 vite, ndërsa jashtë qendrës për 13.2 vite.  Paga më e lartë në Maqedoni sipas statistikave zyrtare është 1100 euro për sektorin e IT dhe atyre që punojnë në sektorin financiar dhe të sigurimeve. Çmimi mesatar në qendër të Shkupit është rreth 1500 euro, ndërsa jashtë rreth 900 euro,

Edhe në Malin e Zi të punësuarve me pagën më të lartë do t’ju duhen më pak vite për të blerë një shtëpi në qendër të Podgoricës. Sipas përllogaritjeve një të punësuar në sektorin e IT-së dhe atë bankat e financiar i duhen mesatarisht 19.3 vite për të blerë një apartament 60 m2 në qendër të kryeqytetit. Paga më e lartë sipas statistikave zyrtare të Malit të Zi është 1380 euro, ndërsa çmimi mesatar i shtëpive është 1600 brenda qendrës dhe rreth 1000 jashtë saj.

Në botë, Hong Kong renditet ndër qytetet më të shtrenjta në botë për të pasur një shtëpi, e matur sipas aftësisë blerëse. Një punonjësi të kualifikuar do t’i duhen mesatarisht 25 vite për të blerë një shtëpi (ose gjysma e kohës që do i duhet një shqiptari). Ndërsa në Londër 15 vite, Paris 14, Singapor dhe Tokio  11, dhe në Amsterdam 10. Në Chicago, Boston dhe Los Angelos duhen më pak se 5 vite.

USB Group ka përllogaritur kohën që do t’i duhet një punonjësi të specializuar për të blerë një shtëpi prej 60 metër katror në qendër, të njëjtin vlerësim që përdori dhe Monitor për Shqipërinë dhe vendet e rajonit.

Burimi: Përllogaritjet Monitor, INSTAT, Zyra e Statistikave Republika e Serbisë, Zyra Shtetërore e statistikave në Maqedoninë e Veriut, Zyra e statistikave të Malit të Zi, Agjencitë imobliare të vendeve përkatëse për çmimet e shtëpive

Në prag proteste, Basha mbledh Këshillin Kombëtarë dhe kandidatët për deputetë. Çfarë pritet të ndodhë sot në PD

Sot në orën 12:30 pritet të mblidhet Këshilli Kombëtar dhe grupi i kandidatëve të PD për deputetë, mbledhje kjo e thirrur nga kryetari i selisë blu, Lulzim Basha.

Në prag të protestës së 13 Prillit, PD do të mblidhet për të diskutuar për masat organizative për vijimin e aksionit politik.

“Neser, e hene, date 8 Prill 2019, ora 12.30, nen drejtimin e Kryetarit Basha do te zhvillohet mbledhja e perbashket e Keshillit Kombetar dhe grupit te kandidateve te PD per deputete, per masat organizative per vijimin e aksionit politik dhe protesten e 13 Prillit”, thuhet në njoftim.

Opozita e bashkuar pas djegies së mandateve vijon përballjen politike kundër qeverisë duke kërkuar krijimin e një qeverie tranzitore  dhe largimin e Edi Ramës, si dhe vendosjen e një modeli për të zhvilluar zgjedhje të lira e të ndershme në vend.

Kriza politike në Shqipëri, zbardhet agjenda e zyrtarit amerikan Mathew Palmer

Situata kritike politike pritet të marrë një kthesë të re me vizitën e zv. ndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit, Matthew Palmer, i cili do të mbërrijë në Tiranë në fillim të javës, në kuadër të një turi ballkanik.

Pas përpjekjeve pa rezultat të europianëve, në lojë futet diplomacia amerikane, e cila zbarkon në Shqipëri në një kohë që opozita ka djegur mandatet dhe ka nisur protestat e pandalshme, ndërsa mazhoranca po përgatitet për zgjedhje.

Takimin e parë zyrtari amerikan do e ketë me kryeministrin Edi Rama të hënën, ndërsa të martën e 9 prillit, pritet të takohet me Presidentin Ilir Meta. Në të njëjtën ditë, Palmer do zhvillojë një bisedë me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe drejtues të tjerë të opozitës.

Pas takimeve me zyrtarët e lartë, mësohet se Matthew Palmer do të ketë një takim edhe me një grup gazetarësh shqiptarë. Një ditë para vizitës së të dërguarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Presidenti Ilir Meta, bëri thirrje për dialog.

“Unë besoj vetëm te zgjidhja politike përmes një dialogu të përgjegjshëm dhe real për të rivendosur normalitetin e plotë kushtetues, institucional dhe demokratik të vendit. I nxis e i inkurajoj të gjithë politikanët e përgjegjshëm kudo ku ata ndodhen, në mazhorancë apo në opozitë, të tregojnë që këto 22 vite nuk mund të shkojnë dëm për hir të kokëfortësive dhe të demonstrimeve të forcës përmes mitingjeve, dhe antimitingjeve të panevojshme”, tha Meta.

Vizitës së Palmer i parapriu vizita e zyrtartit të Departamentit Amerikan të Shtetit, Jonanathan Moore, i cili zhvilloi disa takime, ndërsa publike për mediat u bë vetëm takimi i deputetes të partisë Demokratike, Rudina Hajdari dhe ish kryeministrit Sali Berisha.

Vizita e diplomatit amerikan duket si një “dejavu” e dy viteve më parë, kur krizës politike i dha zgjidhje zv/ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Hoyt Bryan Yee, ndërsa mbetet për t’u parë nëse Palmer do të marrë rolin e negociatorit mes palëve.

Megjithatë ndikimi i Matthew Palmer u duk që në fillimet e krizës. Një ditë para se deputetët e opozitës të linin mandatet, Palmer zhvilloi dy biseda telefonike me liderët e opozitës Bashën dhe Kryemadhin, ndërsa pas komunikimit me zyrtarin amerikan, edhe pse opozita nuk u tërhoq nga akti ekstrem, protesta e e saj rezultoi e qetë dhe pa akte dhune, ndryshe nga ajo e 16 shkurtit.

Top Channel

Deputetët nga anëtarësia, kush janë dy britanikët që po këshillojnë PD-në

Anëtarësia e PD-së do të ketë fuqi të plotë në zgjedhjen e përfaqësuesve demokratë në parlament dhe në pushtetin lokal.

 

Një grup pune nga Partia Konservatore Britanike po ndihmon PD-në në modernizimin e saj, duke nisur me modelin e ri të përzgjedhjes së kandidatëve. PD është në fazën finale të përgatitjes së modelit për përzgjedhjen e kandidatëve të saj nga anëtarësia.

Për këtë qëllim, janë prej tri ditësh në selinë e PD-së Davis Jones, kryevlerësuesi i Komitetit të Seleksionimit të Kandidatëve të Partisë Konservatore Britanike dhe Joy Morrissey, ish-kandidate konservatore për Bashkinë e Londrës. Përfaqësuesit e lartë të Partisë Konservatore Britanike po ndihmojnë Partinë Demokratike, duke ofruar përvojën e konservatorëve britanikë në procesin e përzgjedhjes se kandidatëve demokratë për zgjedhjet parlamentare dhe lokale.

Bazuar në modelin britanik të Partisë Konservatore, Partia Demokratike ka përgatitur mënyrën e seleksionimit të kandidatëve të saj, që do të bazohet në tri faza kyçe: “Ngritjen e komisionit të seleksionimit të kandidatëve. Përcaktimin e kritereve dhe standardeve për aplikantët që duan të kandidojnë.

 

Procesin e seleksionimit të kandidatëve përpara votimit nga anëtarësia”. Përfshija e anëtarësisë në përzgjedhjen e kandidatëve është risi jo vetëm për Partinë Demokratike, por për të gjithë politikën shqiptare.

Asnjë forcë politike në Shqipëri nuk ka zbatuar këto standarde perëndimore, që e bëjnë procesin e seleksionimit të kandidatëve në Partinë Demokratike një proces transparent, demokratik dhe të bazuar në meritë. Me modelin e saj të ri, Partia Demokratike reflekton kërkesën e shumicës dërrmuese të shqiptarëve për ta lidhur direkt kandidatin me zgjedhësin.

Modeli britanik që do të zbatohet në Partinë Demokratike i shërben kësaj partie edhe si një veting brenda partisë, i cili jep mundësinë e zgjedhjes së kandidatëve më të përshtatshëm që do të përfaqësojnë PD-në në parlament dhe në pushtetin lokal. Kreu i PD-së, Lulzim Basha, para dy ditëve gjatë një bashkëbisedimi me studentët e Universitetit Politeknik prezantoi sistemin e ri të përzgjedhjes së kandidatëve, duke theksuar se kërkon demokratizimin e PD-së dhe ka mbështetjen e partnerëve perëndimorë.

“Unë jam i vendosur ta demokratizoj dhe modernizoj PD-në dhe për këtë kam mbështetjen e botës perëndimore, të Partisë Konservatore, të Partisë Kristiandemokrate të Partisë Republike të SHBA. Sistemi që ne do të adoptojmë është një sistem që e hap PD-në. E hap ndaj çdokujt që ndan vlerat tona dhe i jep mundësi përmes garës që të kontribuojnë. Që të ndryshojë politika, duhet të ndryshojnë partitë politike. Nëse brenda partive e gjithë vendimmarrja është në dorën e një njeriu, në rastin konkret të kryetarit të partisë që bën listën e deputetëve, ashtu do të jetë nesër edhe shteti, në dorën e një njeriu. Ne do t’i japim fund kësaj praktike, duke nisur brenda PD-së sot dhe nesër në qeverisje”, tha z.Basha.

“Me procesin e zgjedhjes së kandidatëve – shtoi ai – ne do të ndjekim modelin evropian, do të mundësojmë që çdokush që ka interes të përfaqësojë politikisht qytetarët, komunitetin, në çdo nivel, kryebashkiak apo deputet të kenë mundësi të kandidojnë. Do ta bëjmë këtë duke u pamundësuar kandidimin personave me rekorde kriminale apo atyre që nuk janë të aftë. Britanikët po na ndihmojnë që ne të ndërtojmë një mënyrë të zbatimit të këtyre rregullave”, tha z.Basha.

/GSH/

Basha: Beteja jonë të varrosim fenomenin Rama, oligarkët shushunja

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha nga Rrogozhina paralajmëroi konfiskim të parave të atyre që lideri i opozitës i konsideron oligarkë që zhvatin paratë e shqiptarëve.

Basha tha se sistemi i ri politik synon të varrosë fenomenin e Edi Ramës.

“Oligarkët shushunja, këta armiq të interesit publik, e di fare mirë se çfarë i pret. PD ka një plan për nxjerrjen e vendit nga kriza. Analizimin e kontratave korruptive dhe kthimin e këtyre parave tek populli shqiptar.

Pasuritë e vëna mbi gjakun dhe djersën tuaj do të konfiskohen. Kontratat korruptive do të anulohen duke nisur me kontratat e Arben Ahmetajt që helmojnë fëmijët e shqiptarëve, duke filluar me koncesionet e rrugëve, miliona të shqiptarëve që përfundojnë në xhepat e 5 njerëzve.

Beteja jonë është betejë për të varrosur një herë e mirë fenomenin e Edi Ramës, fenomenin e politikanit batakçinj, politikanit që futet në xhepat tuaj për të pasuruar një grup njerëzish. Kjo do të parandalojë që asnjë njeri, asnjë grup dhe asnjë forcë politike të marrë peng demokracinë në Shqipëri. Beteja jonë do të bëjë të mundur ndryshimin e sistemit.

Drejtësia do të çojë në burg politikanët e korruptuar dhe të lidhur me krimin do të jetë ndryshimi i parë i sistemit.

Ndryshim sistemi do të thotë që deputetët e ardhshëm nuk do të caktohen më në mënyrë misterioze.

Ata do ta kenë fatin të lidhur me ju. Ju do të jeni ata që do të përcaktoni me votë deputetët e ardhshëm të Kuvendit të Shqipërisë. Deputetët e ardhshëm nuk do të jenë njerëz, që do ta lidhin fatin e tyre me kryeministrin e ardhshëm”, tha kreu demokrat.

Ironia e kryebashkiakut Shehu: Ja pse Rama erdhi në Kukës me helikopter

Duke reaguar pas procedimeve të policisë së Kukësit, për disa banorë përfshirë edhe vetë atë, kryebashkiaku i qytetit verilindor Bashkim Shehu shkruan me ironi se kryeministri Edi Rama shkoi atje me helikopter pasi nuk kishte para për të kaluar traun në Rrugën e Kombit.

 

Shehu shkruan se kuksianët nuk do t’ia falin kryeministrit arrestimet e shumta të shumta të tyre.

Reagimi i plotë:

Doktori okulist, Edi Rama, pasi erdhi ne Kukës me helikopter, ngaqë nuk kishte lek të paguante taksen e rrugës, iu shtrua muhabetit me llogje, genjeshtra e mashtrime. Sipas llogarisë se tij, nja 100 kuksiane janë verbuar krejt e mes tyre edhe kryetari i bashkisë se Kukësit. Kush proteston është i verbër, kush i lëpihet kryeministrit, është i shëruar.

Po kur eshte aq trimosh ky njeriu i helikopterit, pse duhet te procedoje tere ata burra protestues qe sipas Okulistit Rama janë qorra?

Kush do sy, i shet Edi Rama me kile. Po sy ama, qe shikojnë gjithmonë majtas.

Pse te mos ia japim bashkine e Kukësit Edi Ramës, meqë është mjeshtër për të futur ne burg kuksianët; për t’i gënjyer dhe për t’i ndëshkuar. Por ia falim te gjitha, se ai është burrë i vërtetë: të vret, pastaj kërkon falje.

U rrah nga protestuesit, lirohet nga policia ‘ i infiltruari’ (fotot)

U rrah nga militantët e Partisë Demokratike në protestën para Parlamentit me argumentin se ishte “polic” i infiltruar dhe më pas u prangos nga policia, gjykata liron Olsi Albajramin të riun nga Elbasani.

Sipas vendimit të gjykatës ai do të hetohet me masën “detyrim paraqitje” për akuzat e kundërshtimit të policisë dhe goditjes për shkak të detyrës, gjatë protestës së fundit të opozitës tek parlamenti.

Turma e dhunoi pasi e mendoi një efektiv të policisë të infiltruar, por në fakt Albajrami ishte pjesëmarrës në protestë si simpatizant i Partisë Demokratike.

Në Shqipëri çdo vit vdesin 8 mijë persona nga kequshqyerja

Një studim i fundit i “The Lancet”, që është ndër revistat më prestigjioze mjekësore në botë arrin në përfundimin se, ushqimi, pra të ushqyerit në mënyrë jo të shëndetshme është përgjegjëse për më shumë vdekje në botë se duhanpirja.

Shqipëria është pjesë e 195 vendeve të marra në analizë nga studimi shkencor dhe rezulton të jetë më mirë se vendet e rajonit, por më keq se Europa perëndimore në këtë drejtim.

Europa dhe Amerika e Veriut janë të veçuara nga pjesa tjetër e botës siç e ilustron dhe harta, çka tregon se mirëqenia është faktor kyç në dietën e shëndetshme. Vendet e varfra kanë norma bindshëm më të larta vdekshmërie si pasojë e kequshqyerjes.

Në indikatorin që i referohet vdekjeve nga ushqimi për 100 mijë banorë, të ndarë në 7 nivele, Shqipëria figuron në nivelin e 5-të, me ngjyrën e verdhë, ku vdekjet që lidhen me dietën ushqimore numërohen në 249 deri në 313 për çdo 100 mijë banorë, shkruan “scan”.

Kjo do të thotë se, mesatarisht, të ushqyerit keq në Shqipëri vret rreth 8000 njerëz në vit. Në një tjetër indikator, që i referohet barrës së sëmundjeve, pra viteve të humbura si pasojë e tyre, jo vetëm si pasojë e vdekje të parakohshme por edhe si pasojë e kohës së jetës në sëmundje, Shqipëria renditet po ashtu në nivelin e 5-të.

Riatdhesohen 50 shqiptarë nga Franca, zv.ministrja bën thirrje: Mos tentoni azil, rrezikoni…

Gjatë 24 orëve të fundit janë riatdhesuar në aeroportin “Nënë Tereza”, rreth 50 shtetas shqiptarë, të cilët kanë shkelur rregullat e lëvizjes në zonën ‘Shengen’ apo u është refuzuar kërkesa për azil në Francë.

 

Operacionet e riatdhesimit janë organizuar në koordinim mes dy vendeve. Zv.ministrja e Brendshme, Rovena Voda deklaron se qytetarët shqiptarë nuk mund të përfitojnë azil në vendet e BE-së, për shkak se Shqipëria konsiderohet një vend i sigurt.

 

“Ministria e Brendshme e Shqipërisë është duke komunikuar me Ministritë homologe të vendeve si Franca apo vende të tjera, për të rishikuar procedurat e dhënies së azilit në këto vende, me qëllim shkurtimin e kohës së procedurave, por edhe mënyrën se si do të trajtohen shtetasit shqiptarë, që vijnë nga një vend i sigurt.

Kështu që udhëtimi në këto vende me qëllimin për të kërkuar azil, jo vetëm që është një kosto e madhe për qytetarët shqiptarë, por është një hap i gabuar, është një hap që kushton dhe jo vetëm shpenzon, por do t’i kufizojë këta shtetas edhe në udhëtime të tjera drejt vendeve të BE-së.

Unë dëshiroj të kujtoj që Shqipëria është një vend i sigurt, pra është në listën e vendeve të sigurta dhe qytetarët shqiptarë nuk mund të përfitojnë azil në vendet e BE-së”, ka theksuar Voda.

Deputeti Xhafaj: Oficerët e Policisë Gjyqësore janë sekserë të prokurorëve

Deputeti socialist, Fatmir Xhafaj, nuk i ka kursyer dje kritikat rreth veprimtarisë që kryejnë oficerët e Policisë Gjyqësore. Ai lëshoi akuza të forta dje në Komisionin e Ligjeve, duke theksuar oficerët e Policisë Gjyqësore janë kthyer në sekserë të prokurorëve.


Nga ana tjetër, ai theksoi se edhe kompetencat, edhe varësia e oficerëve të policisë gjyqësore nuk janë të qarta. “Oficerët e policisë gjyqësore në sanksionet pranë prokurorive në shumicën e rasteve shërbejnë si sekserë të prokurorëve. Nga mënyra se si është organizuar, kanë shërbyer për të zgjidhur çështje të raportit mes prokurorëve dhe klientëve, më shumë sesa për hetime profesionale”, – tha Fatmir Xhafaj gjatë diskutimit të nismës për rolin e oficerëve të policisë gjyqësore. Vetëm një javë më parë, ai shprehu kritika edhe për ndryshimet në ligjin për vetingun e policëve, duke theksuar se ndryshimet e paraqitura nga pasardhësi i tij në drejtimin e Ministrisë së Brendshme e bënin procesin e kontrollit të figurës së policit jodemokratik.

Muzeu i Kulturës Françeskane, nis me veprat e Lin Delisë

Fatmira Nikolli – Kur ka ardhur në vitin 1992, ai është kthyer me idenë të hapte një akademi arti dhe për të ribërë afresket e kishës së madhe në Shkodër dhe nuk mundi të bënte as njërën dhe as tjetrën, sepse nuk gjeti asnjë derë të hapur. Prandaj është e vështirë të kuptosh Lin Delinë pa hyrë tek ai”. Kështu shprehej 5 vite më parë, Gjon Radovani kur fliste për Lin Delinë. Më 11 prill mbahet në Kuvendin Françeskan në Gjuhadol të Shkodrës një simpozium, qëllimi final i të cilit është ngritja e muzeut të kulturës Françeskane. Muzika e kompozitorëve françeksanë do shoqërojë aktivitetin, ndërsa At Flavio Cavallini do të flasë për etapat historike të pranisë françeskane në Shqipëri. Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare, Persida Asllani, do të ndalet te një rrëfim muzeor të kontributit kulturor të françeskanëve shqiptarë, ndërsa prof.Ardian Ndreca do të tregojë si e rikrijonte botën në art piktori Lin Delija.

Në fund të simpoziumit do të shpallet nisja e një “fundraising” (mbledhje fondesh) për ngritjen e një muzeu françeskan, projekt-ideja e të cilit prezantohet nga arkitekti Gjon Radovani. Ai do të nënshkruajë edhe kontratën e dhurimit të veprave të mjeshtrit Lin Delija nga “Art Union Albania” tek “Muzeu i Kulturës Françeskane”, ndërsa veprat do të jenë të ekspozuara.

“LIN DELIJA”
Vite më parë Gjon Radovani çeli në Galerinë Kombëtare të Arteve ekspozitën “Lin Delija” mes sakrales dhe profanes. Ajo shtrihej në tri hapësira të veçuara, që u gjegjen tri gjendjeve të pikturës dhe vetë piktorit. Në hapësirën e parë, gjesti piktural endet në vajtje-ardhjen e një kërkimi kompleks të dyzuar në njohjen e vetvetes dhe kërkimin e rrënjëve shpirtërore. Ky binom i pandashëm do të bëhej kryefjala e ekzistencës. Hapësira e dytë ndiqte rrugëtimin e dhimbshëm të Imago Dei-t. Martirët e lirisë, të vrarët për shkak të besimit, vuajtja e prindërve dhe e bijve vijojnë me gjestin e lutjes në shenjën sakrale të përulësisë dhe besimit. Hapësira e tretë pulsonte përmes shenjtërisë së të bukurës dhe falë saj të zbulimit të njeriut. Ky kërkim i përhershëm, zanafillor dhe strukturor, thellon në të njëjtën kohë misterin e papërkufizueshëm të jetës, të qenies dhe Zotit. 112 vepra në pikturë dhe 38 vizatime qenë pjesë e ekspozitës. Ndërsa zhguni me të cilin Lin Delija u arratis në vitin 1949, u rikthye në Shqipëri 65 vite më pas. në baulen që ai pat marrë me vete në moshën 23-vjeçare kur iku, ai pat futur edhe zhgunin, veshjen e fretërve në kuvendin e të cilëve studionte pikturë para ikjes. Atë zhgun ai nuk e veshi kurrë më, por e mbajti në shtëpinë e tij në Atrodoko, derisa u nda nga jeta më 1994. Krahas tij pat ardhur edhe çadra e piktorit me firmën e tij mbi të. Ai ka lënë pas 3500 vepra që zotërohen sot nga muze të ndryshëm e koleksionistë të ndryshëm. Radovani ka thënë se nuk ka mundur të marrë shumë prej tyre, por shoqata “Art Union”, zotëron rreth 120 vepra të tij, 30 vepra i disponon Galeria Kombëtare e Arteve, si dhuratë nga Erica Schütz, një koleksioniste bavareze dhe Armando Nicoletti. Ndërkohë, edhe vetë Provinca Françeskane shqiptare, ka 30 vepra, vepra të cilat Lin Delija ua dorëzoi françeskanëve të Romës, për t’ua dhuruar atyre të Shkodrës, si dhe dy vepra të koleksionistëve privatë.
Radovani shprehej se Tek Lini sakralja dhe profania janë një. “Profania është produkt i sakrales, prandaj nuk ka asnjë kundërshti. Ndaj edhe sakralja tek ai nuk është e mërzitshme, thjesht rrëfyese, vetëm liturgjike, aty ka një përzierje të jetës reale me jetën e përtejme. Edhe në skenat biblike të trajtuara nga Lini shihet një person real, 2000 vjet më parë, shikon një malësor, një malësore, një mëkatar, një gjykatës, njerëz të jetës së përditshme. Është një përzierje e sakralitetit me profanen”.

ARTISTI
Lin Delija lindi në Shkodër. Ai u rrit dhe u edukua në shkollën e Fretënve Françeskanë, ku edhe mori hov së pari talenti i tij artistik. Studioi në fillim në Herceg Novi dhe pastaj në Zagreb në Akademinë e Arteve të Bukura. Më vonë, me ndihmën e Ernest Koliqit siguroi një bursë studimi në Akademinë e Arteve të Bukura në Romë. Mjeshtrit e tij të mëdhenj ishin Mario Mafai dhe Amerigo Bartoli – prej të cilëve ai mori njohuritë e teknikave bashkëkohore dhe përsosi më tej botëkuptimin e tij artistik, duke ndërthurur në mënyrë harmonike modernen me elementin etnik, shqiptar dhe ballkanik. Edhe pse studioi me mjeshtër të mëdhenj të ngjyrave, Lin Delija do të mbeste deri në fund ai që ishte, piktor origjinal me talent të rrallë, të cilin nuk pranoi ta shiste dhe ta bënte pjesë të tregut. Në vitin 1969, Lin Delija themelon Akademinë e Artit “Gjergj Fishta” dhe në vitin 1983 krijon Akademinë e Artit “Carlo Cesi” në vilën Mentuçia në Antrodoko. Piktori Lin Delija mbylli sytë më 9 prill 1994 në Romë në moshën 68- vjeçare. Sot, veprat e tij ekspozohen në Pinakotekën e Artit Modern në Vatikan, në Muzeun e Artit Bashkëkohor në Romë, në Muzeun “Lin Delija” në Antrodoko, në Muzeun Qytetës të Osimo-s, në Qendrën e Studimeve të Artit Modern në Brescia, në Galerinë e Artit Modern në Palermo, në Muzeun e Shën Anës në Quebec të Kanadasë, në Universitetin e Erlangenit në Gjermani, në Nju Jork etj. Në qytetin e Osimo-s ekziston një muze kushtuar mjeshtrit Delija, ndërsa miqtë e tij të vjetër të Antrodokos i kanë ngritur një muze në vitin 2002 në qytetin që i dha strehë bujare.

Të përndjekurit “maskarenj” dhe oficerët e Sigurimit “engjëj” – Nga KASTRIOT DERVISHI

Deputeti i shumicës z.Braho, zgjodhi komisionin kuvendor për të bërë deklarata kundër drejtorit të Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Agron Tufa. Në terminologjinë e sulmit, ai nuk i përmendi as emrin e institutit, por iu drejtua si “instituti i Agronit”. Por ishte shumë i qartë në mbrojtje të trashëgimisë komuniste dhe oficerëve të Sigurimit të Shtetit.


Për të mos e ndaluar deri këtu sulmin aspak të bazuar dhe faktuar, një ditë më vonë në një të përditshme, ai deklaroi: “Ish-sigurimi i Shtetit i zgjidhte bashkëpunëtorët nga kategoria e Agron Tufës. Ata i kanë shërbyer devotshmërisht Sigurimit të Shtetit me denoncimet që kanë bërë. Mirë kanë bërë, se edhe janë paguar për devotshmërinë e tyre. Kjo akuzë që më bëri dje Tufa, më bëri apo më nxiti kureshtjen se mos ka edhe ky ndonjë dosje bashkëpunimi. Do të kthej përgjigje sapo të hulumtoj në disa sirtare që nuk i hap dot Tufa… Ia premtoj këtë dhe do të tregoj se nga i buron gjithë ai vrer këtij njeriu…” (se kur unë publikoj krime të komunizmit, kategoria persekutore qahet për “nxjerrje sekreti”, ndërsa kur Braho deklaron kështu, nuk ka më “çështje sekreti”).

Pra sipas Brahos, të përndjekurit kanë qenë të gjithë spiunë dhe e keqja e këtij vendi nuk janë ustallarët e makinerisë krimiminale hoxhiste, as oficerët e Sigurimit të Shtetit, të cilët pavarësisht se të paarsimuar (shkolla e sigurimit nuk vlen për asgjë), sot gjithkund të punësuar, por viktimat e tyre të rekrutuar me material shtrëngues (me torturë, kërcënime, vrasje, etj). Pra fajtorët nuk duhet t’i kërkojmë te oficerët në fjalë, madje kjo qenka e ndaluar, por te viktimat. Pak a shumë kjo ka qenë edhe filozofia e ligjit për krijimin e Autoritetit për Informim te Dokumentet e Sigurimit të Shtetit (ku Braho ka marrë pjesë si drejtues i komisionit të sigurisë, pavarësisht se as kishte lidhje me sigurinë kjo punë), në tavolinat këshillimore pezake të të cilit janë parë të japin mend oficerët në fjalë. Pra ju o të përndjekur nxirrini sytë njëri-tjetrit se ju kënaqin edhe me ndonjë ekspozitë aty këtu, por mos i prishni mirëqenien gjeneralëve të Sigurimit. Ata le të vazhdojnë atje ku janë.

Sa për sqarim të shkurtër, rrjeti agjenturor i Sigurimit të Shtetit, përbëhej nga rezidentët, agjentët, informatorët dhe strehuesit. Ndërtohej sipas dy parimeve: me dëshirë dhe me shtrëngimin. Komunistët bëheshin vetëm me dëshirë. Kategoritë e përndjekura vetëm me “material shtrëngues”. D.m.th. i përndjekuri është njësoj si ai pengu që është i lidhur me detyrohet të nënshkruajë diçka jashtë vullnetit të tij. Viktima është pak a shumë si në ato videot e ISIS-it. D.m.th. sapo një i njeri i mbajtur peng në burgjet e ISIS-it të zbriste në SHBA do duhej të shihej si bashkëpunëtor i ISIS-it?! Por po të analizosh kategorinë e përndjekurve, rreth 95% e këtij kontingjenti nuk kanë bërë asgjë, vetëm sa të janë shënuar në regjistrin e agjenturës, i cili shërben sot si “prova” e vetme e gjoja “sirtarëve” që gjasme nuk i hapka askush (). Rezidentët dhe strehuesit e rrjetit sekret ishin komunistë ose njerëz shumë të besuar.

Një shembull nga viti 1978. Nga 13.276 persona që përbënin rrjetin sekret, 1150 ishin komunistë (ndërsa numri i të besuarve gati komunistë është shumë më i madh). Vetëm Dega e Sigurimit të Ushtrisë kishte 2982 bashkëpunëtorë (në ushtri nuk kish të përndjekur).

Dega e 8-të e Drejtorisë së Parë që mbulonte kategorinë e “armikut të popullit”, pra ish ballistë e zogistë, kishte gjithsej 2425 persona bashkëpunëtorë (por edhe këtu 662 janë komunistë). Po janë po ashtu degët e tjera që mbulonin të huajt, ambasadat, etj, të gjithë me bashkëpunëtorë të besuar, jo të përndjekur.
Se bashkëpunëtorë të Sigurimit ishin komunistë që u bënë anëtarë të Byrosë Politike më vonë si Pali Miska apo Hekuran Isai, e lëre pastaj komunistë të tjerë që u bënë ministra e që figurojnë si “Dardha”, “Stilografi”, “Deti”, etj.

Rama në Kukës – A do të ketë protesta të dhunshme? SHISH dhe FNSH ‘zbarkojnë’ në qytet

Kryeministri Rama pritet të jetë ditën e sotme në qytetin e Kukësit. Ashtu edhe si është lajmëruar, banorët do të dalin në protestë, madje do të tentohet të ndalohet hyrja e Edi Ramës në qyteti. Ndërkaq forca të shumte policie si dhe FNSH kanë shkuar tashmë në qytet për të verifikuar personat me precedent penal, bëhet me dije se edhe agjentët e SHISH janë në terren për të monitoruar situatën që mund të krijohet.


Protestues do të ketë edhe nga Tropoja e Hasi, ndërsa protesta pritet të fillojë në orën 12, ku edhe mendohet të bllokohet “Rruga e Kombit” tek ura e Kukësit. Edi Rama do të inaugurojë fillimin e punimeve për rikonstruksionon e aeroportit.

Pas protestës së fermerëve, Qeveria vendos kompensim për qumështin

Pas protestës së fermerëve, të cilët kundërshtojnë skemën e re të kompensimit të TVSH-së, Këshilli i Ministrave ka miratuar sot një vendim, sipas të cilit parashikohet që qeveria të japë një financim të dedikuar për fermerët që prodhojnë dhe shesin qumësht.

Lajmi është bërë i ditur nga Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi në një reagim për mediat.

Nuk ka ende një reagim nga fermerët në lidhje me vendimin e qeverisë.

Reagimi i Ministrit të Bujqësisë pas protestës së fermerëve

Në reagimin e tij, ministri Bledi Çuçi shprehet:

“Jam sot këtu për të komunikuar një vendim të rëndësishëm që morëm në mbledhjen e qeverisë. Eshtë fjala për pagesën që përfitojnë fermerët për qumështin e dorëzuar në pikat e përpunimit. Prej kohësh ne e kemi ndjekur me vëmendje shqetësimin real të fermerëve që u prekën nga ndryshimi i skemës së kompensimit të TVSH-së.

Vendimi i miratuar sot vjen në kohën e duhur dhe është dukshëm më i favorshëm për fermerët sesa skema e parë e rimbursimit të TVSH-së 20%. Praktikisht me këtë vendim fermerët do të marrin më shumë lekë për çdo litër qumështi të shitur.  Këshilli i Ministrave në mbledhjen e ditës së sotme vendosi që të japë një financim të dedikuar për fermerët që prodhojnë dhe shesin qumësht.

Sipas këtij vendimi fermerët do të përfitojnë një kompensim në vlerën 100 lekë të vjetra për litër qumështi të shitur.

Nuk do të ketë kufizime për numrin minimal të krerëve që mbarështon ferma.

Për të përfituar kompensimin fermerëve u mjafton vetëm fatura tatimore.

Aplikimet do të fillojnë prej datës 22 Prill pranë Agropikave dhe zyrave të Bujqësisë në qarqe. Ato do të jenë me kosto zero për fermerët.

Kjo masë e marrë është një mbështetje e drejtpërdrejtë për fermerët e sektorit të blegtorisë dhe është gjithashtu një reagim në kohën duhur i shqetësimit të tyre pas ndryshimit të skemës së kompensimit të TVSH-së nga 20% në 6%.

Po kështu, një masë e tillë do të ndikojë pozitivisht në stabilitetin dhe formalizimin e sektorit të prodhimit dhe përpunimit të qumështit në vend”.

Protesta e Fermerëve

Fermerët e Lushnjes dhe Rrogozhinës pretestuan ditën e mëkurë, duke kundërshtuar ndryshimin e TVSH per prodhuesit e qumështit.

Në shenjë proteste ata derdhën qumështin në rrugë e hodhën prodhime të tjera në rrugë, ndërkohë që kërkuan tërheqjen e ketij vendimi nga qeveria.

Protestuesit bllokuan aksin kryesor rrugor, ndërsa mbanin në duar pankarta me mbishkrimet “nafta e traktorit tim e ka çmimin njësoj si nafta e benzit tënd”, “Ulje me 14 % të çmimit për fermerin” si dhe “Subvencionet në bujqësi në 2018 20 milionë euro, në 2019 vetëm 4 milionë euro”./AgroWeb.org

Dashamir Shehi: Qëllimi i opozitës prishja e skaletës politike, mazhoranca kot shpreson se mund të hyjmë në zgjedhje

Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi ka folur rreth situatës ku ndodhet vendi dh e veprimeve të mëtejshme të opozitës.

I ftuar në emisionin “Të paekspozuarit”, ai u shpreh se protesta e opozitës nuk është ftohur, ndërsa shtoi se qëllimi i opozitës prishja e skaletës politike.

 

I pyetur nëse do të marrin pjesë në zgjedhjet lokale, Shehi u shpreh pranimi i pjesëmarrjes në zgjedhje do të bënte të pavlerë largimin nga parlamenti, ndërsa e quajti “një lloj përsëritje të çadrës”.

“Ne duam ta prishim këtë lloj skalete politike. Duam të ndërtojmë një matricë tjetër politike. Ata kanë menduar se ne do hymë në zgjedhje. Ne do ta përmbysim këtë lojë, ndryshe largimi ynë nga parlamenti nuk do të kishte asnjë lloj vlere. Ne kemi gjykuar për rregulla të pandershme në zgjedhjet e mëdha, pse do të shkojmë tek zgjedhjet administrative?

Besoj që edhe Basha në këtë lloj linje do veprojë. Ne kemi vendosur ta prishim këtë, se ndryshe do të ishte një përsëritje, një lloj çadre”, tha Shehi.

“Ditmir, do bëhesh heroi i gjashtë i Vigut” A e ka kërcënuar Rama ish Ministrin Bushati?!

Ditmir Bushati dje mbajti një fjalim historik dhe atdhetar, i cili do mbahet mend gjatë në historinë politike të viteve pas ’90-të. Ai foli me një kurajë për t’u admiruar në sallën e parlamentit dhe mori shtrëngime duarsh nga kolegët për fjalimin e tij, i cili në thelb përkthehet si një thirrje drejtuar arrogancës së kryeministrit: “Ndalu beg, se ka hendek!”

Po kështu radioja shtetërore gjermane, DW, në një shkrim nga Shqipëria citonte ish-ministrin e jashtëm të Shqipërisë ku titullin e kishte vendosur “Ditmir Bushati: Shqipëria në udhëkryq”. Dalja kundër rrymës që po mbyt PS-në, qeverisjen dhe krejt vendin e ish-ministrit Bushati, ishte temë dite sot në çdo tryezë në Shqipëri.

Burime të besuara tregojnë se sot në pikë të mëngjesit kryeministri ka marrë Ditmir Bushatin dhe i ka thënë: “Nëse Shkodra ka pesë heronjtë e Vigut, nga ky çast ti do të jesh heroi i gjashtë i Vigut!”.

I pyetur për këtë ish-ministri Bushati nuk dha asnjë koment. Burime pranë stafit të Bushatit thonë që Ditmiri nuk ha presion, se është nga familja e madhe e Bushatllinjve e cila nuk ka pyetur për turkun e jo më për miqtë e turqve!

Pesë heronjtë e Vigut janë një histori shqiptare, ku pesë misionarë të lirisë nga e keqja që kishte kapur Shqipërinë u vranë në Vig të Mirditës, në pritë e pabesi. Ditmir Bushati është deputet i Shkodrës dhe mbulon zonën e Vigut.

Historia njeh 5 heronjtë e Vigut, por jo 6 heronjtë e Vigut, siç ia ka thënë me presion dhe shantazh kryeministri.

Gjithsesi Ditmir Bushati dje bëri një akt atdhetar duke i bërë thirrje pushtetit të mos jetë brutal, por të ulet në gjetjen e një zgjidhje për Shqipërinë./koha jonë

Vakanca në Gjykatën Kushtetuese, ja 8 kandidatët në garë (Emrat)

Kuvendi i Shqipërisë ka shpallur sot listën e kandidatëve për gjyqtar për të plotësuar vakancat në Gjykatën Kushtetuese. Në faqen e internetit të Kuvendit janë publikuar emrat e 8 kandidatëve që do të plotësojnë vakancën.

“Pas shpalljes nga Kuvendi i Shqipërisë, në datën 4.3.2019, të hapjes së procedurave të aplikimit për vakancën e plotë për gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese që do të zgjidhet nga Kuvendi, kanë paraqitur kërkesën për shprehje interesi, si dhe dokumentacionin përkatës, kandidatët: Arta Vorpsi, Avni Shehu, Elsa Toska, Fiona Papajorgji, Valbona Bala (Pajo), Klodian Rado, Kostandin Kazanxhi, Mitat Dautaj dhe Ilir Mustafaj”,- thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Ish-Guvernatori Fullani fitoi gjyqin, Shkalla e Parë i dha 12 paga, ndërsa Apeli…

Në mars të vitit 2017, ish-Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, arriti të fitojë gjyqin me Bankën e Shqipërisë dhe Kuvendin, duke marrë dëmshpërblim për shkarkim të paligjshëm nga posti që mbante prej disa vitesh.

Fullani iu drejtua Gjykatës Administrative, duke paditur Kuvendin e Shqipërisë dhe Bankën Qendrore të Shqipërisë. Ai kërkoi dëmshpërblim pasuror dhe jopasuror të shkaktuar nga veprimet e paligjshme të palëve të paditura. Në Shkallën e Parë, Fullanit iu dha e drejta e shpërblimit me vetëm 12 paga mujore për shkarkim të paligjshëm nga posti që mbante prej vitesh.

Por ish-Guvernatori nuk u mjaftua me vendim e dhënë nga Shkalla e Parë e Administratives. Ai e apeloi çështjen e tij për të fituar atë çfarë kërkonte.

Në përfundim, Apeli vendosi në favor të tij, duke kërkuar dëmshpërblimin me 56 paga, që e përkthyer në lekë, llogaritej afro 42 milionë lekë.

Në padinë e dorëzuar në Gjykatën Administrative të Apelit, Ardian Fullani kërkoi: Konstatimin e pavlefshmërisë absolute dhe/ose shfuqizimin tërësisht, për shkak të paligjshmërisë së shkarkim it nga detyra të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë dhe Anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, të akteve: Vendimit nr. 52, datë 06.09.2014 të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë; Vendimit të Komisionit të Ekonomisë dhe Financave të Re publikës së Shqipërisë në lidhje me dërgimin në mbledhje plenare të propozimit për shkarkim të paditësit nga detyra e Guvernatorit dhe Anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës; Vendimit nr. 64, datë 18.09.2014 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe zgjidhjen e pasojave.

Shpërblimi i dëmit pasuror dhe jopasuror të shkaktuar nga veprimet e paligjshme të palëve të paditura. Detyrimi i palëve të paditura të shpërblejnë paditësin, duke i njohur atij të drejtën e shpërblimit për detyrën e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë dhe/ose Anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Republikës së Shqipërisë, që prej datës së shkarkimit 18.09.2014 deri në datën e përfundimit të mandatit që është data 17.11.2018. Detyrimin e të paditurve të shpërblejnë paditësin për dëmin jopasuror në shumën 15 milionë lekë./ PANORAMA

SHBA iu dhuron Forcave të Armatosura të Shqipërisë 37 mjete të blinduara ndaj pritave apo kurtheve të minuara

Shtetet e Bashkuara të Amerikës u kanë dhuruar Forcave të Armatosura të Shqipërisë 37 mjete të blinduara ndaj pritave apo kurtheve të minuara, që do të përdoren tashmë nga strukturat ushtarake, si pjesë e mbrojtjes kolektive të NATO-s.

Në ceremoninë e dorëzimit të mjeteve të blinduara, të markës “InternationalMaxxPro MRAP” (Mine Resistant Ambush Protected), mori pjesë ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, e ngarkuara me punë e Shteteve të Bashkuara, Leyla Moses-Ones, si dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, Gjeneral Brigade, Bardhyl Kollçaku.

Kjo paketë përkthehet në më shumë cilësi kapacitetesh, më shumë angazhime të përbashkëta dhe sigurisht në më shumë siguri, si për vendin tonë, ashtu dhe për aleancën. Armatimi i ri sipas standardit të NATO, po e ndryshojnë cilësisht realitetin e përditshëm të punëve të ushtarakëve tanë, si dhe po rrisin dita-ditës performancën e tyre gjatë ushtrimit të detyrave. Mjetet do të rrisin sigurinë e personelit, sidomos ndaj minave dhe mjeteve shpërthyese të improvizuara, që konsiderohet tashmë si një prej kërcënimeve më të pranishme në mjedisin operativ”, u shpreh ministrja Xhaçka.

E ngarkuara me punë e SHBA-ve në vendin tonë, Leyla Moses-Ones vlerësoi rolin e Shqipërisë në rajon, dhe forcimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes e konsiderojnë jo vetëm në favor të Shqipërisë, por edhe të aleancës.

Kjo aftësi e re e blinduar do të rrisë mbrojtjen e brendshme të Shqipërisë, do të forcojë krahun jugor të NATO-s dhe do të sigurojë fuqi vendimtare luftarake në NATO, që mund të dislokohet në mbështetje të operacioneve globale. Ky është një tjetër shembull sesi Shqipëria po rritet si një lider rajonal në Ballkan. Nën drejtimin aktual, komunikimi dhe bashkëpunimi midis forcave tona ushtarake nuk ka qenë kurrë më i fortë, ndërsa shpërndarja e këtyre automjeteve shënon përfundimin e një faze të bashkëpunimit tonë”, tha Leyla Moses-Ones.

37 mjetet e blinduara janë pjesë e paketës së ndihmës së Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Forcat tona të Armatosura. Mjetet e mbrojtura dhe rezistente ndaj pritave dhe kurtheve të minuara kanë një ekuipazh prej 3-7 ushtarakësh.

U inaugurua dje, hidhet në erë Ujësjellësi në Delvinë

Një sasi tritoli ka shpërthyer në depon e ujësjellësit të fshatit Kopaçëz të Delvinës.

Ujësjellësi ishte ndërtuar prej 16 vitesh, ndërkohë që dje u vu në punë për herë të parë.

Ai furnizonte me ujë gjysmën e fshatit ndërsa pjesa tjetër furnizohej nga burimi.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës. Lënda plasëse ishte vendosur në tubacionin kryesor të depos, duke dëmtuar furnizimin me ujë.

Në vendngjarje shkuan forcat e policisë të cilat konstatuan dëmet materiale të shkaktuara nga shpërthimi i tritolit.

Asnjë person nuk është lënduar, teksa uniformat blu kanë shoqëruar disa të dyshuar për t’i marrë në pyetje. Motivet e këtij akti kriminal janë të paqarta.

Kërcënimi ndaj Agim Canajt, drejtuesit të trembur, heshtin për ngjarjen

Heshtja vret më shumë se vetë ngjarja. Në një kohë kur Vllaznia mund të konsiderohet e “marrë peng”, pasi nuk mund të zhvillojë normalisht punën e saj dhe të përgatitet për ndeshjen e radhës, pasi trajneri dhe drejtuesit e saj kërcënohen vazhdimisht, krerët më të lartë të klubit e bëjnë situatën edhe më dramatike dhe të pashpresë.

 

Në një kohë kur kryebashkiakja e Shkodrës që është njëkohësisht edhe presidente e klubit Vllaznia, Voltana Ademi, të tregonte mbështetje për teknikun dhe t’u jepte besimin sportdashësve të shumtë shkodranë se klubi nuk mund të frikësohet nga këto kërcënime, ka vetëm heshtje.  –

Gazeta “Panorama Sport” ka tentuar gjatë gjithë ditës së djeshme me të gjitha mënyrat për të kontaktuar me drejtuesit e Vllaznisë, në lidhje me skandalin që ndodhi, por askush nuk ka pranuar të komentojë. Vetë trajneri Agim Canaj duket se është shumë i tronditur nga gjithçka i ka ndodhur dhe nuk ka reaguar. Gjithashtu, gazeta ka tentuar të komunikojë me kryebashkiaken Voltana Ademi, por si gjithmonë nuk ka qenë e disponueshme duke mos iu përgjigjur interesimit tonë. As administratori Suad Lici që duket se është frikësuar nga kjo histori, nuk ka folur asnjë fjalë.

Madje, në një komunikim të shkurtër që ka pasur gazeta me të gjatë paradites së djeshme, ka deklaruar se klubi do të dalë me një deklaratë zyrtare. Por, kjo nuk ka ndodhur. Gjatë pasdites së djeshme është përfolur se drejtuesit kanë bërë denoncim në polici në lidhje me këtë çështje, por që nuk ka asnjë konfirmim nga drejtuesit apo organet policore. Situata në skuadrën shkodrane është e rëndë, ndërsa historia përsëritet dhe klubi nuk po gjen qetësi. Pritet që sot të ketë reagim nga klubi që me heshtjen e tij vetëm u jep zemër kërcënuesve, ndërsa lojtarët dhe stafi ndihen gjithmonë e më shumë të frikësuar.

(Video) Ibrahim Rugova i përhershëm në RTSH gjatë viteve 1992-1995, prej 1997 i anatemuar dhe përjashtuar – Nga Elida Buçpapaj

Prej vitit 1992 deri më 1996, Presidenti Ibrahim Rugova ishte figurë qendrore e përherëshme në pasqyrimet e RTSH, Radio Televizionit të Shqipërisë londineze.

Përpara kësaj periudhe gjatë regjimit komunist kur programi televiziv ishte deri në gjashtë orë, as që bëhej fjalë, mjerisht as prej 1997.

Censura dhe anatemimi në RTSH ndaj Ibrahim Rugovës filluan me trazirat e piramidave që kulmuan me luftën civile të 1997, kur në pushtet u rikthye e majta dhe nga RTSH u zhduk në mënyrë të dhunshme pasqyrimi i institucioneve legjitime të Kosovës të zgjedhur me votën e popullit, duke u zëvendësuar me krahun e luftës të UÇK-së që përfaqësonte Hashim Thaçi.

Prej 1997, RTSH filloi luftën mediatike si kundër Rugovës, ashtu edhe ndaj figurave që e mbështetën, po ashtu edhe ndaj LDK-së dhe faktorit politik pranë saj.

Prej  1997 RTSH e censuroi Presidentin Rugova, sikur censuroi edhe veprimtaritë e Qeverisë të Kosovës në mërgim, të LDK-së dhe aleatëve të saj që jetonin e punonin në Kosovën e pushtuar, duke i dhënë pasqyrim vetëm krahut të UÇK-së që përfaqësohej nga Hashim Thaçi, Xhavit Haliti, Azem Syla me kompani, të cilët këndelleshin në Hotel Rogner.

Prej 1997 krahu institucional i luftës që mediatizohej “tradhëtor” filloi të eleminohej edhe fizikisht. Si me rastin e Kolonel Ahmet Krasniqit, i emëruar Ministër i Mbrojtjes i Kosovës nga Presidenti Ibrahim Rugova, i cili u çarmatos bashkë me truprojën dy ditë përpara se të dy të vriteshin në mes të Tiranës, një javë pas Azem Hajdarit. “Tradhtar” është konsideruar nga ky krah i luftës edhe vetë Presidenti Rugova. Ky krah i UÇK-së uzurpoi të gjithë hapësirën mediatike të RTSH, duke censuruar çdo hapësirë mediatike për krahun legjitim institucional që e përfaqësonte Ibrahim Rugova.

Tani pretendohet se këto eleminime fizike i ka bërë Beogradi!  Dmth ato figura të cilat njerëzit e  Hashim Thaçit i etiketonin si “tradhëtarë”, Beogradi vinte dhe i eleminonte ! Absurde, sepse Beogradi njerëzit e vet i ka mbrojtur dhe i mbron!

Prej 1992 deri më 1995, RTSH, që drejtohej nga Skënder Buçpapaj dhe ekipi i tij, pasqyronte, duke i dhënë hapësirën e gjërë, të gjitha aktiviteteve të Presidentit Rugova në Prishtinë, veprimtarisë së tij diplomatike në SHBA dhe Europë, bashkë me aktivitetet e gjithë faktorit politik, veprimtari që zhvilloheshin në Kosovën e pushtuar si dhe në diasporë.

Prej 1992 deri 1995, RTSH përmes programit Satelitor që i dedikohej i gjithi Kosovës, pasqyronte çdo të shtunë edhe Konferencën për Shtyp të Presidentit Rugova me gazetarët, ku Rugova informonte për veprimtaritë e javës dhe i dërgonte mesazhe popullit të Kosovës brënda kufijve dhe jashtë tyre.

Në kushte pushtimi, pasqyrimi nga RTSH i asaj çfarë ndodhte në Kosovë  kishte vlerë të madhe. Ishte sfidë ndaj Beogradit.

Regjimi kriminal i Milosheviçit, për ta izoluar Kosovën e kishte mbuluar me terr informativ, duke mbyllur RTK, gazetat, Universitetin e Prishtinës, shkollat por kasapi i Ballkanit nuk mund të mbyllte dot Programin Satelitor që transmetohej nga Shqipëria londineze, i cili i jepte vend qendror veprimtarive të institucioneve demokratike të Kosovës në përpjekje për të sendërtuar shtetin e pavarur të Kosovës në respekt të plotë dhe bashkëpunim të pandarë me Perëndimin.

Pas vizitës skandaloze në Beograd të Arben Imamit, Neritan Cekës dhe Spartak Ngjelës, kur RTSH denoncoi këtë vizitë, Imami dhe Ceka iu vërsulën në interpelancë Drejtorit të Përgjithshëm për ta shkarkuar. Dhe shkarkimi u hodh në votë. Për shkarkimin e Skënder Buçpapajt nga kreu i RTSH votoi pro grupi i Arben Imamit dhe Neritan Cekës bashkë me PS por u hodh poshtë nga shumica, grupi parlamentar i Partisë Demokratike. Më 1997 Arben Imami e Neritan Ceka me shokë u bënë pjesë e qeverisjes së majtë, ndërsa RTSH u kthye në bastion të censurës ndaj Ibrahim Rugovës dhe institucioneve demokratike të Kosovës.

Lexuesit po i sjell urimin për vitin e ri 1995 që Presidenti Ibrahim Rugova i drejtoi popullit të Kosovës më 31 dhjetor 1994 përmes RTSH, në Programin Satelitor, ku Rugova bën thirrje për pajtim politik, unitet dhe unifikim gjithëkombëtar.

Këtë video e kam marrë nga muri i Adnan Merovcit, truprojës asaj kohe të Presidentit Rugova, i cili e shpërndan si pjesë të arkivit të tij, pa përmendur burimin se ku është transmetuar ky urim për popullin e Kosovës dhe shqiptarët mbarë.

Ky urim i Presidentit Rugova për vitin e Ri 1995 është bërë përmes RTSH, Radio Televizionit të Shqipërisë!

Shikim të këndëshëm!

PS Këtë rradhë po i shkruaj për të hedhur dritë për një fragment të asaj kohe, si dëshmitare. Si një përpjekje për të ndalur manipulimet dhe ftesë për të gjithë shqiptarët e ndershëm të japin kontributin e tyre, pa dallime politike!

 

 

 

Dy fjalë për Adnan Merovcin: Po të ishte gjallë Ibrahim Rugova kish me t’thanë: “Hiqju shkrimit Merovc!” Nga Elida Buçpapaj

“Zgjohuni socialistë”, Irena Beqiraj në krah të Ditmir Bushatit

Ish-zëvëndës ministrja e Financave Irena Beqiraj ka mbështetur sot ato çka Ditmir Bushati iu tha në mes të Kuvendit socialistëve. Nëpërmjet një statusi në Facebook ajo shkruan se fjala e tij ishte një dritë shprese për ekzistencën e mendimit ndryshe.

POSTIMI I PLOTË

Nese ne nje tavoline te gjithe mendojne njesoj asnje nuk eshte duke menduar gjate!!!!

Fjalimi i Ditmir Bushatit sot ne Parlament ishte nje drite per shpresen e ekzistences se mendimit ndryshe, nje thirrje per ti vendosur gishtin kokes. Asnjehere nuk eshte vone.

Shumekush perciptazi, i zene ne kurthin e mentalitetin ” o me ne o kundra nesh” mund ta shikoje si kundervenije karshi Lidershipit. Ne fakt eshte nje sherbim I bere me guxim jo vetem Partise Socialiste e Lidershipit te saj, por Popullit Shqiptar.

Zgjohuni socialiste !!!!! Ky vend nuk ka nevoje per shkembime batutash , pa kripe e te sforcuara, me deputetet opozitare te ardhur prej procedures por jo prej demokracise , te cileve zeri u dridhet e nuk rrine dot as drejt ne foltore kur kuvendojne, duke te kujtuar me se shumtii nxenesit e dobet para mesuesit. A nuk jeni lodhur duke perseritur mekanikisht fjali pa kuptim e klishe si: ulemi per djalog por jo per negociate ? Po a nuk me thoni , cili eshte precedenti i rezikshem i cili nuk duhet te ndodh se ndryshe ndodh katastrofa me demokracine?

Po si ka mundesi qe rrini neper karrike duartrokisni edhe nuk mendoni qe edhe pse eshte teresisht fajtore, opozita qe ka lene shtepine si nje bashkudhetare e keqe , ju serisht nuk mund te largoheni nga detyrimi per te gjetur zgjidhje urgjente per te miren e familjes tone te perbashket , Shqiperise.

Ditmiri tregoi sot se mendon ndryshe, kursesi qe eshte kundra nje individi, qofte ky edhe lideri i partise . Ditmiri percolli mendimin e shume shqiptareve me mendje te ftohte e dy pare tru ne koke qe kemi nevoje per zgjidhje e jo per karshillek, retorike , shaka qe nuk bejne me kerkend per te qeshur, perkundrazi trishtojne.

Nuk jemi pa zgjidhje , nese mesojme te degjojme edhe pranojme mendimin ndryshe.

Sot në Kuvend ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, në fjalën e tij sot kritikoi politikën shqiptare duke thënë se duhet të bashkohet për të mirën e qytetarëve. Sipas tij të gjthë duhet të lënë mënjanë inatet dhe të marrim shembullin e Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë.

Deklaratë e fortë e ish- ministrit Mustafaj: Shqipëria mund të rikthehet si në vitin 1985

Diplomati dhe politikani i njohur Besnik Mustafaj i ftuar në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në News 24 thotë se kriza në politikën shqiptare sa vjen e thellohet dhe se palët gjithnjë e më shumë ndahen kur vjen puna për të dialoguar.

E në këto kushte, ai parashikoi si opsionin më të mundshëm mungesën e opozitës në zgjedhjet vendore, duke e kthyer pas Shqipërinë, në vitin 1985.

“Ka krizë të thellë që nga momenti kur opozita nuk është në institucione. Shihni lulëzimin e krimit, vrasje si këto javë ndodhnin vetëm në ‘97. Si e refuzon ai kryeministër mundësinë për të gjetur zgjidhje? Opozita duhet të ketë një platformë të qartë jo të thotë të ikë Rama e të krijohet qeveri tranzitore. Mungojnë kushtet për dialog, tek opozita e kritikoj mundësinë e përjashtimit të dialogut.

Është dialoguar me Ramiz Alinë në ‘91, me Sali Berishën në ’97. Krizat e mëdha në demokraci doemos të çojnë tek dialogu. Refuzimi i dialogut nga të dyja palët nuk është normale”,- tha ai.

Ish-ministri i Jashtëm tha ndër të tjera se sheh pozitivisht mundësinë që Presidenti i vendit, Ilir Meta të negociojë krizën politike, ndërsa të njëjtën gjë mund ta bëjnë edhe ndërkombëtarët tha ai.

“Meta dhe ndërkombëtarët mund të jenë të dy negociues. Më në dinjitetin e shqiptarëve do të ishte Presidenti si negociator. Por kjo vjen kur ka vullnet për dialog, ne këtu kemi një mungesë vullneti nga kryeministri së pari”,- vijoi Mustafaj.

Sa për kryeministrin, Mustafaj tha se: “Edi Rama është komplet jashtë realitetit. mënyra si arsyeton, sillet dhe vepron e tregojnë se jeton në atë tullumbacen e tij krejtësisht jashtë realitetit”.

Sipas Mustafajt, nëse do të ishte i bindur që i fitonte zgjedhjet, Rama nuk do kishte hezituar të hynte në zgjedhje të parakohshme.

“Unë do të thosha se ai nuk është aspak i bindur se i fiton më zgjedhjet, përndryshe do ta çonte vendin drejt zgjedhjeve. Një politikan pragmatist siç ai vetëquhet do ta çonte vendin drejt zgjedhjeve pa më të voglin hezitim”,- shtoi Mustafaj.

Ashtu siç situata paraqitet, për Mustafajn nuk është çudi që vendi të kthehet 35 vite pas. “Shpresoj që s’do jenë zgjedhjet si në ‘85 si para 35 vitesh…por s’kemi shumë shpresë, sepse edhe PS duket gjithnjë më e bindur të shkojë e vetme në zgjedhje”.

Shqipëri, Urdhërat e Gjykatave për pushimet e padrejta nuk zbatohen

Vendimet gjyqësore për largimet e padrejta nga puna si në administratën shtetërore edhe atë vendore mbeten në pjesën dërrmuese të pazbatuara në Shqipëri. Sipas Raportit Vjetor 2018 të Komisionierit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, të sapo-publikuar, pjesa dërrmuese e vendimeve të formës së prerë të gjykatave nuk janë zbatuar ndonëse ligji parashikon që çdo institucion detyrohet të marrë masat e nevojshme për ekzekutimin e menjëhershëm të vendimit gjyqësor.

Raporti i Komisionerit vlerëson se “në institucionet e administratës shtetërore “janë ankimuar pranë Gjykatave Administrative 609 akte administrative përmes të cilave janë larguar ose liruar nëpunës civilë, nga të cilat janë zgjidhur me vendim të formës së prerë vetëm 389 raste, nga të cilat për 80 raste është rrëzuar anikimimi.“

Aktualisht, vlerëson raporti, janë ekzekutuar vetëm 100 vendime gjyqësore ose 32% e tyre dhe kanë mbetur për t’u ekzekutuar 209 vendime gjyqësore të formës së prerë ose 68% e tyre”.

Edhe në institucionet e vetëqeverisjes vendore, ku përfshihen 61 Bashki dhe 12 Këshilla e Qarku sipas raportit janë ankimuar pranë Gjykatave Administrative 323 akte administrative, nga të cilat zgjidhur me vendim të formës së prerë 214 raste ndër to 62 ankimime janë rrëzuar. Raporti vlerëson se janë ekzekutuar vetëm 62 vendime gjyqësore ose 41% e tyre dhe kanë mbetur për t’u ekzekutuar 90 vendime gjyqësore të formës së prerë ose 59% e tyre.

Raporti vlerëson se “nga pikëpamja krahasimore ndër vite, numri më i madh i akteve administrative të ankimuara që janë objekt i vendimeve gjyqësore të pa ekzekutuara kanë dalë në periudhën 2013 – 2015”. Kjo periudhë përkon me paszgjedhjet parlamentare të 2013, kur në Shqipëri demokratët ua lanë vendin socialistëve për qeverisjen e vendit.

Raporti vlerëson se edhe shqyrtimi në gjykatë i ankimimeve për lirimet e padrejta nga puna ka rezultuar të zgjasë mbi 3 vjet. Sipas Raportit “kjo situatë vlerësohet edhe si një nga shkaqet kryesore që e ka mbartur këtë problem ndër vite dhe e ka ndërlikuar atë, pasi ka vështirësuar ndjeshëm gjetjen e rrugëve për zgjidhjen e tij, në kushtet kur njihet dinamika e lartë e lëvizjeve dhe e zhvillimeve në administratë”.

Raporti i Komisionierit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil flet edhe për proceset e rekrutimit në administratë. Siaps Raportit nga 1592 pozicione pune që janë mbikëqyrur, janë konstatuar 960 raste të emërimeve në detyrë në përputhje me kërkesat e ligji dhe 357 raste të emërimeve të parregullta, që zënë 22% të pozicioneve të punës pjesë e shërbimit civil.

Shqipëri: Shkarkimet e padrejta nga puna thelluan dëmet në Buxhetin e shtetit

Court decisions firing

Court decisions firing

Shpenzimet për ekzekutim të vendimeve gjyqësore për largim nga puna shënuan gjithashtu vlera të larta gjatë vitit 2018 në Shqipëri. Të dhënat nga portali joqeveritar “Open.Spending.Albania”, që i referohen pagesave të kryera nga Thesari i Shtetit pranë Ministrisë së Financave, flasin për 2.595 transaksione të kryera nga janari i 2018 deri në fund të dhjetorit në vlerën e rreth 13,8 milionë dollarëve. Shpenzimet u përkasin institucioneve shtetërore dhe njësive të qeverisjes vendore dhe u përgjigjen pagesave për zyrtarë që kanë fituar gjyqet pranë Gjykatës Administrative të Apelit të Tiranës për shkarkim të padrejtë nga puna.

Vitit 2018 shënoi një rënie të lehtë të shpenzimeve për këtë kategori në raport me vitin 2017 ku ishin shpenzuar rreth 14,4 milionë dollarë. Në pesë vitet e fundit të dhënat flasin se vetëm për shkarkimet e padrejta nga puna nga Ministria e Financave janë paguar mbi 102 milionë dollarë. Rekordin e shënon viti 2014 që pasoi zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 në Shqipëri kur nga Buxheti i Shtetit u paguan për vendimet gjyqësore rreth 32 milionë dollarë.

Analistët e pavarur vlerësojnë se në vend egziston ende hendeku midis kuadrit ligjor e politik dhe zbatimit të tij në administratën publike. Sipas analistëve administrata publike shqiptare vijon të karakterizohet nga karriera jo të qëndrueshme, shkallë e lartë e ndryshimeve që pasqyrohet në përvojën e pakët të punonjësve civilë dhe kohë pas kohe shfaqen praktika të këqija, si pagimi i rryshfeteve per vende pune, abuzimi me pushtetin dhe ndikimi i politikës partiake në emërimet që nga nëpunësit më të thjeshtë deri tek zyrtarët e lartë.

PD publikon tjetër përgjim: Rama shpërblen me post drejtori policin që i jepte “pakot” Fredi Alizotit

Ish-deputeti i PD-së Ervin Salianji ka publikuar të tjera përgjime në lidhje me çështjen e “Babales” si dhe ka deklaruar se ish nëndrejtori i policisë së Fierit Andon Marko, është shpërblyer në mënyrë të ‘majme’ për shërbimet që i ka bërë pushtetit.

Në një dalje në selinë e PD-së Salianji ka risjellë në vëmendjen mënyrën sesi policia e Fierit dhe ish drejtuesit e saj të lartë kanë joshur me para Fredi Alizotin dhe e kanë instruktuar që të dalë për të hedhur poshtë përgjimin e bërë nga “Babalja” në bisedën e tij me vëllain e ish Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj. Njëri ndër personat që është marrë posaçërisht me blerjen e Fredi Alizotit, rezulton se po ashtu është shpërblyer mirë nga pushteti me një post të rëndëisshëm.

Edi Rama ka ngritur një sistem kriminal dhe korruptiv të karrierës, ku sa më shumë të shkelësh ligjin në favor të Ramës dhe bandës së tij, aq më shumë promovohesh brenda narkoshtetit.

Rasti konkret që po denoncojmë sot është Andon Marko. Qytetarët e njohin nga skandali i përgjimeve të pazbardhura të prokurorisë si pjesë e manipulimit shtetëror të dosjes së drogës së Agron Xhafës. Andon Marko është nëndrejtori i Policisë së Fierit që është nën urdhrat e Fredi Alizotit, dëshmitarit të sajuar dhe të blerë të qeverisë për manipulimin e dosjes.

Andon Marko ka marrë dje emërimin si drejtor i Policisë së Fierit si shpërblim për shërbimin ndaj bandës dhe për t’i mbyllur gojën, sepse audio përgjimet tregojnë se miku i Ardi Veliut dhe Fredi Alizotit, di shumë. Ai di sa para ka marrë dëshmitari i sajuar për të dëshmuar kundër opozitës.  Disa nga përgjimet që po publikojmë sot tregojnë për afërsinë mes Drejtorit të ri të bandës në Fier dhe dëshmitarit të sajuar të qeverisë dhe se ai është në dijeni të të gjithë skemës së manipulimit dhe blerjes.

Është e qartë dhe e provuar me dokumenta që ndodhen në dosjen zyrtare se Andon Marko, i graduari më i ri i Bandës në Polici, sot duhej të ishte në burg për shpërdorim detyre, për pengim te drejtësisë dhe dëshmi të rreme, për të cilën do të keni rast të njiheni më vonë.

Sot, asgjë nga këto nuk ndodh, sepse në sistemin e ngritur nga Edi Rama, shërbimi ndaj bandës në qeveri shpërblehet me ngritje në detyrë.”, tha Salianji./Express

“Jemi në udhëkryq”, Ditmir Bushati fjalim ndryshe në Parlament

Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati kam mbajtur një fjalim ndryshe në Parlament, teksa ka theksuar se maxhoranca nuk duhet të tregohet arrogante me opozitën që është jashtë Parlamentit.

Bushati ka thënë në Parlament se opozita doli nga parlamenti për shkak se ndjeu frikë dhe një lloj kapitullimi.

“Megjithatë nuk mund ta mohojmë faktin se boja, vezët, vaji, mielli në parlament kanë dalë sot në rrugë. Sot në rrugë janë zëvendësuar me kapsollën, nga përplasja gabimisht e muskujve me policinë dhe tek baltosja e institucioneve të shtetit shqiptar. Duke dalë nga parlamenti, unë jam i bindur që opozita ka dëshmuar një lloj frike dhe një lloj kapitullimi.

Por kjo nuk mund të na bëjë ne të jemi arrogantë, nuk mund të na bëjë ne të harxhojmë orë të tëra duke u marrë me protestat e opozitës. Ne nuk mund të biem në kurthin e profecisë vetpërmbushëse.

Ne jemi PSSH, ne jemi socialistë, demokratë progresist. Ne duam që të ndërtojmë një shoqëri të drejtë, një shoqëri më të mirë, për fëmijët tanë por edhe për fëmijët e opozitës që mungon këtu në sallë”, tha Bushati në Parlament.

Bushati ka thënë më tej se Shqipëria është në udhëkryq dhe se duhet të marrë shembull nga vendet fqinje për të gjetur gjuhën e dialogut.

“Ne jemi sot për sot në një udhëkryq të madh. Lexova Financial Times, një prej gazetave më prestigjoze në botë. E dini me çfarë hapej në faqen e parë? Me foton selfie të Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut dhe Kryeministrit Grek për arritjen e madhe historike pas 3 dekadash. Unë sot pyes. Si ka mundësi z.Ruci që pas tre dekadash si politikan me eksperiencë, si ka mundësi z.Ulqini, si ka mundësi z.Majko, e deri te kolegia që foli për herë të parë në këtë parlament. Pse kur Grekët e Maqedonasit e gjekërkan gjuhën për të parë përpara, ne nuk paskemi mundësi me e gjet gjuhën me njëri-tjetrin. A jemi të gjithë shqiptarë, a jemi pjesë e një kombi? Pse e kemi kaq të vështirë dhe turpërojmë veten tonë lart e poshtë. Pse nuk e gjejmë dot ne gjuhën për të parë përpara?”, ka thënë ai.

 Fjala e plotë e Ditmir Bushatit

 Raportimi i institucioneve që japin llogari para kuvendit të Shqipërisë është një procedurë normale kushtetuese e llogaridhënëse e këtyre institucioneve. Por, në periudhën politike e situatën politike në të cilën ne jetojmë natyrisht që raportimi i KQZ-së apo debate e diskutime të ndryshme lidhur me nevojën për të ndryshuar sistemin zgjedhor dhe garancitë që ky sistem duhet të bëjë, në radhë të parë për të garantuar votën e qytetarëve të zakonshëm të këtij vendi, sot për sot marrin një vëmendje të posaçme.

Nuk ka diskutim që politika shqiptare për herë të parë është në një situatë të paprecedentë. Kemi qenë shpesh në rreth-rrotullime, kemi gjetur tabelën exit për të dalë nga këto rreth-rrotullime, por për herë të parë në historinë e pluralizmit të Shqipërisë, një parti apo dy parti politike parlamentare kanë dorëzuar mandatet e tyre, të dhëna nga populli. Natyrisht ky është një precedent i ri, jo vetëm për demokracitë e reja në europën qendrore dhe lindore por edhe për vende me regjime despotike, siç është rasti i Venezuelës.

Nuk ka një mendje racionale, qoftë kjo shqiptare apo ndërkombëtare për të legjitimuar djegien e mandatave si instrument politik për të arritur një objektiv të caktuar. Qoftë rrëzimin e një qeverie, ndërrimin e një kryeministri apo provokimin e zgjedhjeve të parakohshme.

Aq më tepër kur ky kuvend u konstitua në bazë të zgjedhjeve të 2017-ës të cilat u organizuan nga një qeveri të përbashkët ku institucionet kyçe u drejtuan nga opozita në atë kohë dhe kur ky kuvend u pranua pas zgjedhjeve të 2017-ës edhe nga opozita këtu teksa bëri betimin dhe një pjesë të punës së saj për 1 vit e gjysme. Është po ky kuvend dhe po këto zgjedhje të cilat kanë marrë certifikimin e OSBE-ODHIR dhe në të gjithë e kemi pranuar që OSBE-ODHIR është autoriteti ndërkombëtar I padiskutueshëm përsa i përket standardeve zgjedhore.

Megjithatë nuk mund ta mohojmë faktin se boja, vezët, vaji, mielli në parlament kanë dalë sot në rrugë. Sot në rrugë janë zëvendësuar me kapsollën, nga përplasja gabimisht e muskujve me policinë dhe tek baltosja e institucioneve të shtetit shqiptar. Duke dalë nga parlamenti, unë jam i bindur që opozita ka dëshmuar një lloj frike dhe një lloj kapitullimi.

Por kjo nuk mund të na bëjë ne të jemi arrogantë, nuk mund të na bëjë ne të harxhojmë orë të tëra duke u marrë me protestat e opozitës. Ne nuk mund të biem në kurthin e profecisë vetpërmbushëse.

Ne jemi PSSH, ne jemi socialistë, demokratë progresist. Ne duam që të ndërtojmë një shoqëri të drejtë, një shoqëri më të mirë, për fëmijët tanë por edhe për fëmijet e opozitës që mungon këtu në sallë.

Kjo është arsyeja që unë e mbështes propozimin e Damian Gjiknurit për ti ofruar një hapsirë më të madhe të gjithë aktorëve politikë, sepse demokracinë nuk e konceptoj si procedurë të thjeshtë. Demokracia si procedurë është zëvëndësimi formal i listës së partisë demokratike dhe lëvizjes socialiste për integrim. Por demokracia është edhe thelb dhe fakti që ne krijojmë mundësinë për një marrëveshje të ardhshme për kodin zgjedhor për rregullat e lojës, qoftë me opozitën parlamentare por mbi të gjitha për opozitën politike, besoj se është shprehja më e lartë e ndërgjegjsimit që ka Partia Socialiste e Shqipërisë. Socialistët, progresistët shqiptarë për fatet e demokracisë dhe për fatet e Shqipërisë.

Këtu ka burra e gra që kanë hyrë në këtë sallë që 1991, ka burra e gra që kanë kontribuar për këtë vend. E dinë të gjithë mirë që socialistët dolën me devizën, të sakfrikojmë sa më shumë në mënyrë që të ndërtojmë një shtet solid. Ishin socialistët dhe progresitët e këtij vendi që ndërtuan një sistem të ri nga hiri i 1997-ës.

Nuk ka javë më të rëndësishme se kjo që po mbyllim për të shprehur respektin tonë për të gjithe ata që kanë shërbyer në këtë vend me të mirat dhe të këqijat e tyre. Kjo javë përkon me 10-vjetorin e Shqipërisë në NATO. Nuk fillon 10-vjetori I Shqipërisë në NATO me gjeneratën time politike, nuk fillon as 70- vjetori I NATO-s si organizatë, e cila pikë së pari është një organizatë politike dhe më pas ushtarake me ne këtu, por me të gjithë ata që vuajten burgjeve të komunizmit që e kërkonin Shqipërinë si gjithë Evropa. Me studentët e dhjetorit që u ngritën dhe nuk e imagjinonin dot kur e kërkonin Shqipërinë si gjithë Evropa në 90-ën që edhe pas 30 vjetësh Shqipëria ende do të përpëlitej në debatin nëse do ti hapim apo nuk do ti hapim negociatat.

Kjo është java që ne duhet të përkujtojmë 10-vjetorin e kontratës më angazhuese që ky vend ka me Bashkimin Evropian, Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit dhe duhet të shohim nga fqinjët tanë dhe të kuptojmë se pse 10 vjet pas hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshje ne nuk kemi hedhur hapin vendimtar përpara. Pse, 13 vjet nga firmosja e kësaj marrëveshje në 2006-ën, ndërkohë që në marrëveshje shkruhet shumë qartë që brenda 10 viteve do të përgatitet vendi për tu anëtarësuar në Bashkimin Europian, ne jemi këtu ku jemi. Dhe kur flasim për mbyllje të tranzicionit, ne duhet ta mbullim tranzicionin vetëm kur të përkojë me reformat të cilat e afrojnë vendin me Bashkimin Europian.

Sot është dita për të shprehur mirënjohjen ndaj shërbimit të jashtëm shqiptar. Sot është dita për të shprehur mirënjohjen ndaj Ministrisë së Mbrojtjes, ndaj Forcave të Armatosura të këtij vendi. Janë dy institucione të krijuara me 4 dhjetor të 1912-ës. Janë ndër të paktat pasuri që nuk I shkatërroi dot asnjë lloj regjimi. Janë pasuri të cilat nuk mund të vihen në pikëpyetje.

Unë nuk jam mbrojtës asesi i status-quos, nuk jam as partizan i nostalgjive të dikurshme, por aty ka burra e gra të cilët kanë punuar me përkushtim për Shqipërinë anëtarë të NATO-s. Aty ka burra e gra që kanë shërbyer në misione dhe kanë vëne jetën e tyre në rrezik për Shqipërinë anëtarë të NATO-s, për ti rritur reputacionin ndërkombëtar këtij vendi, edhe në kushtet kur ne klasa politike, kemi bërë baltën mullar në këtë vend.

Prandaj është dita që ne të kuptojmë dhe të vlerësojmë mundin e heronjëve të heshtur, e njerëzve të zakonshëm të këtij vendi që e kanë bërë Shqipërinë më krenare seç mund ta ketë bërë klasa politike.

Ne jemi sot për sot në një udhëkryq të madh. Lexova Financial Times, një prej gazetave më prestigjoze në botë. E dini me çfarë hapej në faqen e parë? Me foton selfie të Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut dhe Kryeministrit Grek për arritjen e madhe historike pas 3 dekadash. Unë sot pyes. Si ka mundësi z.Ruci që pas tre dekadash si politikan me eksperiencë, si ka mundësi z.Ulqini, si ka mundësi z.Majko, e deri te kolegia që foli për herë të parë në këtë parlament. Pse kur Grekët e Maqedonasit e gjekërkan gjuhën për të parë përpara, ne nuk paskemi mundësi me e gjet gjuhën me njëri-tjetrin. A jemi të gjithë shqiptarë, a jemi pjesë e një kombi? Pse e kemi kaq të vështirë dhe turpërojmë veten tonë lart e poshtë. Pse nuk e gjejmë dot ne gjuhën për të parë përpara?

Çfarë do ti themi sot ne një 30-vjecari?

Shikonin një fakt të rëndësishëm. Njerëzit luftuan gjatë luftës së II-të botërore po mbesin gjithnjë e më pak, për shkak të arsyeve biologjike. Njerzit që kontribuan në komunizëm për atë që konsiderohet pasuria kolektive, ose sot janë dëshpëruar ose e kanë lënë këtë vend për shkak se pasuria u grumbullua te një rreth vicioz njerzish. Po 30-vjecarët që kanë lindur në 89-90 që nuk e dinë cfarë ishte komunizmi? Si do ta shpjegojmë këtë prapambetje në raport me fqinjët, jo me evropën e vlerave demokratike.

Do vazhdojmë të themi që ishte faji i komunizimit, ishte faji i Enverit?

30 vjet është më shumë se nga shpallja e Pavarësisë shtet në 1912 tek fllimi I luftës së I-rë botërore, apo pushtimi I Shqipërisë nga Italia fashiste. 30 vjet janë më shumë se periudha mes dy luftrave botërore. 30 vjet nuk e justifikojnë dot votën dhe besimin që na kanë dhënë Shqiptarët.

Prandaj, është momenti I fundit që ne të shohim për nga e ardhmja dhe mos bëhemi nostalgjik të së shkuarës.

FOTOT – Incidenti, protestuesit godasin me grushte e shkelma “policin e infiltruar”

Protesta e opozitës ka degjeneruar sot në grushte e shkelma me një person që sipas demokratëve ishte një efektiv i policisë i infiltruar në tubim.

Nuk dihet identiteti i personit që për disa çaste u dhunua nga të pranishmit në tubimin para Parlamentit.

 

Por siç shihet nga pamja, ai ishte me kapuç në kokë dhe me bilbil, ndërkohë që protestuesit e tjerë e kanë rrethuar dhe goditur disa herë deri sa ai është larguar.

Basha në Berlin, takime me zyrtarë të lartë në kancelarinë gjermane

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është parë sot në mëngjes duke hyrë në kancelarinë federale gjermane në Berlin. Basha ka takime me zyrtarë të rëndësishëm në kancelarinë e drejtuar nga Angela Merkel, mëson”Panorama”.

Kreu i PD ka udhëtuar ditën e djeshme për në Gjermani në Berlin, ku do të ketë takime edhe me drejtues të Parlamentit Gjerman, Bundestagut, zyrtarë të lartë të Qeverisë Federale, drejtuesit e partive simotra CDU dhe CSU etj.

 

Vizita e shefit të opozitës në Gjermani vjen pas asaj në Bruksel ku Basha u takua me kryetaren e CDU, Annegret Kramp-Karrenbauer, presidentin e PPE Joseph Daul dhe eurodeputetë. Vizita e kreut të PD në Gjermani është e para që pas djegies së mandateve dhe kërkesave të opozitës për krijimin e një qeverie tranzitore dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare.

FOTOT- Të rinjtë prangosen në protestë

Opozita po zhvillon sot protestën e saj të tetë kundër kryeministrit Edi Rama, protestë e organizuar tërësisht nga forumet rinore të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Përpos pankartave me thirrjet “Rama Ik”, në mënyrë simbolike, të rinjtë janë paraqitur me pranga në duar si edhe me maska me fytyrën e kryeministrit.

Një simbolikë kjo e përdorur nga të rinjtë në protestën e sotme, për të kundërshtuar arrestimet e mëparshme të protestuesve.

Kujtojmë se në javën e kaluar, pas protestës para Kuvendit, protestuesit shkuan para Ministrisë së Brendshme për të kërkuar lirimin e qytetarëve të arrestuar në protestat e mëparshme.

Tentativa nga protestuesit për të thyer kordonin e policisë

Tensione tek Ministria e Brendshme mes protestuesve të Unazës së Re dhe Policisë. Me protestuesit ka qenë edhe ish-deputeti Klevis Balliu.

 

Ndërkohë gazetari Klajdi Bodlli raportoi për “BalkanWeb” se kreu i PD-së Lulzim Basha nuk do të jetë në protestën e sotme pasi ndodhet në Gjermani për disa takime.

Përplasje mes protestuesve, dyshime për policë të infiltruar

10-40-Po zhvillohet protesta e 8-të e organizuar sot nga opozita paralel me seancën plenare të Kuvendit.  Gazetarja Dorjana Bezat raporton për “BalkanWeb” se nuk ka patur tentativa nga protestuesit për të thyer kordonin e policisë, por vetëm incidente mes demostruesve.

Sipas gazetares Bezat, mes protestuesve ka patur një përplasje verbale për përdorimin e aparateve celulare, ku edhe është dyshuar për infiltrim të policisë.

Tensione tek Ministria e Brendshme
Ora 9:45- Ka nisur me përplasje mes protestuesve e policëve të vendosur pranë Ministrisë së Brendshme, protesta e sotme opozitës. Banorë të Unazës së Re kanë tentuar të kalojnë tek Pedonalja për t’iu bashkuar protestuesve të tjerë por nuk janë lejuar nga policia.

Me ta ishte ish-deputeti i PD Klevis Balliu dhe përfaqësues të tjerë të opozitës. Më pas banorët iu kanë kërkuar policëve t’i bashkohen protestës dhe kanë bërë thirrje “Rama ik”.

1300 forca policie në terren
Ora 9:30- Ditën e sotme në protestën e 8-të të organizuar nga opozita, të paktën 1000-1300 forca policore priten të jenë të angazhuara për mbarëvatjen e saj. Gazetarja Dorjana Bezat raporton për “Balkanweb”, se ndryshe nga protestat e mëparshme policia ka vendosur gardh metalik për të minimizuar kordonin e efektivëve.

Protesta në dorë të FRPD

Ora 9:00-Kryetari i PD-së Lulzim Basha nuk do të jetë sot në protestë, por ata që do e drejtojnë do jenë të rinjtë demokratë. Gazetari Klajdi Bodlli raportoi për “BalkanWeb” se në mungesë të kreut të PD-së, Lulzim Basha e gjithë protesta do të jetë në dorë të FRPD-së.


Send this to a friend