VOAL

VOAL

Tritoli tek Duka- Veliaj: Ka konflikte me bandat e Shijakut

January 25, 2022

Komentet

Civilët tentuan arrestimin e protestuesve, përfaqësuesit e opozitës ia heqin forcërisht nga duart

Policë të veshur civilë kanë nisur reprezaljen ndaj protestuesve pas protestës së mbajtur nga shoqëria civile përpara bashkisë së Tiranës.

Në foto e siguruara nga SYRI TV shihen qartë policët të cilët kanë rrethuar një të ri i cili nuk dihet nëse ishte pjesë e protestës apo jo por ata mesa duket kishin për synim ta shoqëronin.

I menjëhershëm ishte dhe reagim i përfaqësuesve të opozitës të cilët fatmirësisht në disa raste të tentativës për të shoqëruar protestues i kanë ndalur civilët e policisë duke mos i lejuar.

Analisti: Bashkia e Tiranës duhet shkrirë se është organizatë kriminale

Neritan Sejamini ka folur për aferën në Bashkinë e Tiranës, me kompaninë 5D të drejtorëve të Veliajt, të cilët sot janë në pranga.

I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, Sejamini tha se drejtorë dhe punonjës të bashkisë kanë ngritur kompani private për të devijuar fondet publike, ndaj pas këtyre skandaleve që po zbulohen, i gjithë ky institucion duhet shkrirë.

“Ka pasur edhe disa hetimet të tjera për kontrata nga Bashkia e Tiranës. Pothuajse çdo drejtues i Bashkisë ka patur edhe aktivitet privat dhe aktivitetin publik e çonin te aktiviteti privat.

Më bëri përshtypje një zonjë kishte person fizik dhe kishte marrë 600-700 mijë euro dhe punonte edhe në Bashki për 600 euro në muaj. Pra skema është kjo, punoj në shtet që paratë e shtetit ti çoj te kompania private.

Është zbatuar nga drejtorë dhe punonjës të bashkisë. E gjithë bashkia Tiranë duhet shkrirë. Ajo që ka ndodhur nuk është e rastësishme.

Jo natën, por ditën punonin për kompaninë private. Kanë përdorur paratë e shtetit për të furnizuar bizneset private. Bashkia Tiranë duhet hetuar nga fillimi deri në fund. Çdo vendim dhe kontratë që ka dalë nga Bashkia Tiranë, duhet të hetohet, kemi patur një organizatë të kalbur. Është krijuar organizatë kriminale për të zhvatur paratë publike”, tha Sejamini.

Shkarkohet nga KPK, gjyqtari që ia dha Berishës vulën e PD-së

Gjyqtari Agron Zhukri duket se ka ‘ngecur’ në rrjetën e vettingut.

Sot Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar gjyqtarin i Gjykatës së Tiranës, i cili ka qenë i pranishëm në sallë kur është marrë vendimi.

Kujtojmë se Zhukri është gjyqtari që vendosi pro ish-kryeministrit Sali Berisha, duke i dhënë këtij të fundit vulën e Partisë Demokratike.

HETIMI I PASURISE
Sipas BIRN, gjatë seancës më 17 prill në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, magjistrati u ballafaqua me gjetjet për balanca negative në vlera të mëdha në një seancë dëgjimore që zgjati rreth 5 orë e gjysmë. Hetimi administrativ për Zhukrin kishte përfunduar vetëm për kriterin e pasurisë ndërsa gjatë seancës u tha se i ka kaluar barrë prove për burimet e pasurisë. Zhukri pretendoi se i kishte përmbysur gjetjet e KPK-së dhe kërkoi hapjen e hetimit për figurën dhe profesionalizmin.

Në seancë nuk munguan incidentet e batutat. Djali i Zhukrit, i cili ishte njëherazi edhe përfaqësues i tij ishte pozicionuar fillimisht në zonën ku qëndron publiku. Ai ndërhyri në një moment për të dhënë ndihmën e tij në mbrojtje, por iu tërhoq vëmendja nga punonjësit e Gardës. Agron Zhukri e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1994 dhe punon prej më shumë se dy dekadash si gjyqtar në Gjykatën e Tiranës. Emri i Zhukrit u lakua në pranverën e vitit 2022 për shkak të shqyrtimit të konfliktit të brendshëm të Partisë Demokratike për logon e partisë dhe vulën. Zhukri i dha të drejtë grupit të Rithemelimit, ndërsa vendimi u rrëzua më pas nga Gjykata e Apelit, duke u rikthyer çështjen për shqyrtim në shkallë të parë.

Procesi i vetingut për gjyqtarin Zhukri po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Olsi Komici, me relatore Firdes Shulin dhe anëtare Xhensila Pinen. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Francesco Ciardi. Sipas relatimit, Zhukri nuk ka deklaruar ndonjë pasuri në posedim apo përdorim, ndërkohë që bashkëshortja e tij ka deklaruar disa pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme. Ajo ka deklaruar një shtëpi në Tiranë të ndërtuar në vitin 1968 dhe të rikonstruktuar në ’96-ën për shumën 2.8 milionë lekë, me burim nga shitja e një trualli në masën 2.6 milionë lekë dhe të ardhurat. KPK konstaton se nuk janë vërtetuar të ardhurat e deklaruara si të përfituara nga puna në Ambasadën Shqiptare në Romë dhe për rrjedhojë ka rezultuar pamundësi në shumën 2.4 milionë lekë për investimet e kryera në vitin 1996.

Bashkëshortja e subjektit ka deklaruar dhe ndërtimin e një shtese në vitet 2004-2006 me burim të ardhurat nga pagat, aktiviteti i saj privat, si dhe të ardhurat si ndërmjetëse për disa shoqëri që operojnë në fushën e sigurimeve. Sipas KPK-së, nuk janë vërtetuar një pjesë e të ardhurave të deklaruara nga aktiviteti privat, si dhe nuk është provuar pagesa e detyrimeve tatimore për të ardhurat si ndërmjetëse. Për rrjedhojë, ka rezultuar bilanc negativ edhe në këtë investim.

Shuli tha se subjekti nuk ka deklaruar pjesën e tij takuese në pasuritë e krijuara gjatë martesës. Gjyqtari Zhukri deklaroi se banesa në të cilën është kryer investime në vitin 1996 është trashëguar nga i ati dhe se në vitin 1996 ia ka dhuruar bashkëshortes. Ai theksoi se deri në 1995-ën nuk ishte bërë asnjë investim në këtë pronë dhe se në 96-ën është kryer gjithë volumi i punimeve të deklaruara. Lidhur me vlerën e përfituar nga shitja e truallit e deklaruar si burim, subjekti shpjegoi se ajo pasuri ishte e vjehrrit dhe e kishte shitur për 1.6 milionë lekë, të cilat bashkë me 1 milion lekë të tjera të kursyera ua kishte dhuruar me rastin e lindjes së djalit. Ai shpjegoi se vjehrri kishte ndërruar jetë në vitin 1997 dhe se e kishin pasur të vështirë të siguronin dokumentacion. Ndërkohë, Zhukri këmbënguli se kishin depozituar dokumentacion zyrtar të mjaftueshëm për të ardhurat nga puna në ambasadën në Romë. Sipas tij, KPK ka konsideruar shitje të truallit dhe jo dhurim nga vjehrri dhe nuk e ka konsideruar këtë vlerë në analizën financiare. “Është vërtetuar se vjehrri ka dhënë 2.6 milionë lekë”, theksoi Zhukri dhe kërkoi që kjo shumë të përfshihej në analizë.

Subjekti sqaroi ndër të tjera se e kishte transferuar këtë pasuri tek bashkëshortja për korrektësi dhe etikë profesionale. “Nuk ka tendencë për mosdeklarim, pasi e ka deklaruar bashkëshortja”, pohoi subjekti dhe këmbënguli se së bashku me të ardhurat e bashkëshortes nga angazhimi si ndërmjetëse me shoqëritë e sigurimeve, rezultonte me bilanc pozitiv për shpenzimet dhe investimet e kryera në atë periudhë. Në vijim, u konstatuan gjetjet për një investim të kryer nga bashkëshortja në vitin 2003, kur ka blerë së bashku me një shoqëri një pasuri banesë + truall në masën 4.4 milionë lekë ku pjesa e saj takuese ka qenë 2.2 milionë lekë. Kjo pasuri është dhënë për t’u zhvilluar në këmbim të 30% të vlerës ndërtimore, ose nëse vlera e ambienteve do t’i jepeshin do të ishte më pak se 240 mijë USD, atëherë do të kompensohej me vlerë monetare.

Administratori i shoqërisë ndërtuese ka denoncuar subjektin duke pretenduar se kontrata e nënshkruar ishte realizuar nga një ortak dhe jo prej tij. Po ashtu, administratori shoqërisë ka pretenduar se është shantazhuar nga subjekti duke vendosur në dispozicion edhe korrespodencën e kryer në disa emaile. Shuli tha se dukej e paqartë se si kontrata ishte lidhur për investimin e një shumë të vogël prej rreth 2.2 milionë lekësh dhe përfitimin e një vlere rreth 26 milionë lekë, 13 herë më të madhe. Sipas KPK, duket se nuk është deklaruar investimi real që sipas Shulit duhet të ketë qenë në masën 70 mijë USD, vlerë për të cilën është konstatuar pamundësi financiare. Subjekti deklaroi se kontrata ishte nënshkruar nga një prej ortakëve që përfaqësonte shoqërinë ndërtuese. Ai shtoi e kishte pasur konflikte mes administratorin dhe ortakun e asaj shoqërie, të cilët e kishin zgjidhur me pajtim.

Zhukri tha se bashkëshortja kishte pasur në vijim konflikte gjyqësore me denoncuesin, dhe këmbënguli se kjo situatë nuk mund të ishte pjesë e procesit të rivlerësimit të tij. Ai e cilësoi denoncimin si shfryrje të një mellfi dhe pretendoi se kishte qenë administratori i asaj shoqërie që e kishte intimiduar dhe jo e kundërta. “Nuk kam bërë denoncim ndaj tyre. Ata kanë bërë ndaj meje, dhe kanë kryer veprime të jashtëligjshme. Këta njerëz tentojnë të më intimidojnë në mënyrën më të keqe të mundshme dhe provat e tij janë kundër tij”, tha Zhukri duke e cilësuar emailin absurd. Lidhur me vlerën e pasurive të përfituara, Zhukri solli në vëmendje faktin se porositja ishte kryer në 2003-in duke investuar 2.2 milionë lekë, ndërkohë që pas 16 vitesh, kur kishte përfituar pasuritë, ato kishin një vlerë më të madhe për shkak të rritjes së çmimit të tyre. “Veprimi juridik është brenda logjikës ekonomike, duke konsideruar kohën e kryerjes së veprimeve”, tha ndër të tjera Zhukri dhe këmbënguli se vlera e investimit ishte 2.2 milionë lekë, shumë që sipas tij duhet të përfshihet në analizën financiare.

Nga analiza financiare paraprake e KPK ka rezultuar pamundësi edhe për pagesat e kryera në vitin 2003 nga bashkëshortja e subjektit për blerjen e një apartamenti në Qerret, kur ka rezultuar me bilanc negativ në masën rreth 11 milionë lekë. Prenotimi është deklaruar në vitin 2004. Subjekti ka shpjeguar se për këtë pasuri është paguar shuma 43 mijë euro, ndërkohë që në kontratë përcaktohet shuma 55 mijë euro. Zhukri tha se këtë pasuri e kishte poseduar prej korrikut të vitit 2004 dhe se ishte e provuar se bashkëshortja kishte paguar shumën 43 mijë euro, vlerë për të cilën tha se duhet të konsiderohet si shpenzim në analizën financiare.

Sipas KPK, bashkëshortja e subjektit është gjetur në pamundësi dhe për pagesën e një pjese të çmimit të dy apartamenteve të Tiranë, të blerë për 280 mijë euro. Si burime krijimi të kësaj pasurie janë deklaruar një kredi në vlerën 180 mijë euro dhe pjesa tjetër nga pagat e të ardhurat nga aktiviteti dhe bashkëpunimi me agjencitë e sigurimeve në cilësinë e ndërmjetëses. Sipas Komisionit, ka rezultuar balancë negative në analizën e kryer për shlyerjen e pjesës së pambuluar nga kredia. Relatorja Shuli vijoi se familja e subjektit ka rezultuar në pamundësi për një gjendje cash në shumën 7500 euro; për blerjen e një trualli 75 m2; për blerjen e një automjeti në vitin 2002 për çmimin 1.5 milionë lekë; për një makinë tjetër të blerë në 2006-ën.

Megjithëse bashkëshortja e gjyqtarit Zhukri ka deklaruar të ardhura nga aktiviteti privat agjenci udhëtimesh në vlerën totale 35 milionë lekë, nga hetimi administrativ ka rezultuar se qarkullimet e vërtetuara kanë qenë më masë më të vogël. Ndërsa për të ardhurat e petenduara nga ndërmjetësimi me kompanitë e sigurimit është konstatuar se nuk janë vërtetuar. Ndërkohë, janë konsideruar të ligjshme dhe janë përfshitë në analizën financiare të ardhurat nga dhënia me qira e një banese, bazuar në katër kontrata qiradhënieje.

Nga analiza financiare paraprake ka rezultuar një pamundësi në shumën 21 milionë lekë për periudhën para vitit 2003 dhe 72 milionë lekë për vitet në vijim. Gjyqtari Zhukri i kundërshtoi konstatimet e Komisionit për gjithë pamundësitë financiare. Sipas tij, ishte vërtetuar se të ardhurat e bashkëshortes të deklaruara si të përfituara nga aktiviteti I saj privat dhe nga ndërmjetësimi me shoqëritë e sigurimeve, janë të ligjshme, si dhe kërkoi që të përfshihen në analizën financiare. Ai solli në vëmendje të Komisionit se vlerat nga aktiviteti privat kishin qarkulluar në llogaritë bankare të shoqërisë dhe ishin paguar tatimet përkatëse. Sipas tij, çdo vit kishin pasur bilanc pozitiv dhe tepricat përfaqësoheshin nga gjendja e llogarive bankare.

Zhukri pretendoi se bashkëshortja kishte përfituar mbi 10 milionë lekë të ardhura si ndërmjetëse me shoqëritë e sigurimeve. Sipas tij, pagesat e tatimit në burim bëheshin nga shoqëritë, në bllok për të gjithë agjentët me të cilët bashkëpunonte. Sipas subjektit, analiza financiare e KPK del me rezultate negative pasi është e parcelizuar dhe sipas tij, mbetet e paqartë se përse të ardhurat e gjeneruara në kohë nuk janë konsideruar. “Ju konstatoni pamundësi pa i konsideruar të gjitha provat. Nuk ka mosdeklarim të burimeve, por është i gabuar qëndrimi juaj,” -tha Zhukri dhe shpjegoi në vijim mbi shpenzimet e shkollimit të fëmijëve.

Ai konstatoi se pasuritë e familjes së tij janë në vlerën 61 milionë lekë, ndërsa të ardhurat kapin shifrën e 221 milionë lekëve. Sipas subjektit, duke konsideruar edhe gjithë shpenzimet në vite, bilanci pozitiv për gjithë vitet mbetet në vlerën e 28 milionë lekëve. Komisioni ka konstatuar se shoqëria e bashkëshortes së subjektit ka lidhur kontrata me instituciuonet publike, duke ngritur dyshimet për konflikt interesi në dukje. Po ashtu, Shuli vërejti se subjektit i është kërkuar të japë shpjegime nëse ka shqyrtuar çështje me palë shoqëritë e sigurimeve me të cilat është deklaruar se ka bashkëpunuar si ndërmjetëse bashkëshortja.

Zhukri këmbënguli se nuk mund të gjendej në kushtet e konfilktit të interesit për arsye të nënshkrimit të kontratave prej bashkëshortes me disa institucione publike. Ai konstatoi se çështjet administrative me palë institucionet publike gjykohen prej gjykatave administrative dhe jo asaj civile, ku ai ushtron detyrën. I pyetur nëse kishte gjykuar ndonjë çështje me palë shoqëritë e sigurimeve më të cilat kishte bashkëpunuar bashkëshortja në cilësinë e ndërmjetëses, subjekti tha se nuk i kujtohej për momentin, por ai shtoi se edhe nëse do të kishte gjykuar, nuk mund të gjendej në kushtet e konfliktit të interesit. Ai argumentoi se bashkëshortja nuk ishte e punësuar në ato shoqëri, por ndërmjetësonte në gjetjen e klientëve të cilët dhe i mbronte, e rrjedhojë nuk mund të konsiderohej se kishte konflikt interesi. Në përfundim, subjekti kërkoi që të konsiderohen shpjegimet e tij pretendoi se arrin nivel të besueshëm për pasurinë dhe kërkoi hapjen e hetimit për dy kriteret e tjerë të rivlerësimit.
(BalkanWeb)

Bardhi: Kuvendi po shkel rregulloren, fusni në rend dite mocionin me debat për laboratorin e Xibrakës

Kreu u grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi nga Kuvendi deklaroi se Kuvendi po shkel rregulloren, pasi sipas tij do të duhej të ishte futur në rend dite mocionin me debat për trafikun e drogës, duke u ndalur te hetimet për Xibrakën.

“Duhet të lejosh minutazhin deputetëve. Secili deputet e menaxhon vetë fjalën. Në shkelje të plotë të rregullores së Kuvendit anashkaluat një çështje që është shqyrtuar në konferencën e Kryetarëve, në kundërshtim me rregulloren keni vendosur që mos ta sillni në seancë plenare. Do të duhet të respektoni atë dispozitë që aplikuar në Konferencë. Grupi parlamentar ka paraqitur kërkesë me debat sa i takon prodhimit dhe shitjes së lëndëve të trafikut të drogës në vendin tonë. Ne kemi sjellë shembullin e lëshimit nga policia, të bashkëpunimit të Olsi Ramës për rastin e Xibrakës. Ju keni vendosur që të bëheni palë dhe ta mbroni, të bëheni avokat të Olsi Ramës. Ju nuk e keni sjell këtë mocion në Kuvend. Nuk mund të mbyllni këtë rast se nuk është mbyllur hetimi për Xibrakën.”, tha ai.bw

Sulo ‘plas bombën’: Oficerët e BKH-së shkuan në Kryeministri, Rama u mbylli derën

 

Duke komentuar deklaratat e forta të kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, analisti Arion Sulo i ftuar në “Open” në News 24, tha se oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë shkuar në Kryeministri dhe kreu i qeverisë, Edi Rama u ka mbyllur derën.

“Për herë të parë Meta përmendi fjalën burg. SPAK-ut i takon të mos shprehet pa mbaruar çështja. Të dhënat që vijnë është se ky tension i Metës është për shkak të hetimeve që po bëhen ndaj tij dhe bashkëshortes, çështja CEZ DIA, hetimi për lobimin e ish-LSI-së dhe çështja e operacioneve plastike të Kryemadhit. Gazetarit pranë SPAK, thonë se këto çështje janë bashkuar dhe kanë kaluar në hetim pasuror.

Dy prokurorë kanë pasur një lloj ngecje dhe ka ndërhyrë Dumani si drejtues prokurorie për të kontrolluar dosjen. Kjo ka prodhuar tensionin e ditëve të fundit. E reja është ajo që paralajmëroi Ilir Meta; çështja po shkon drejt fundit dhe mund të ketë një zhvillim final që mund të ketë arrest. Deduksion! Përveç gjuhës së papranueshme, ne duhet të kthehemi te shkaku.

Dje dhe sot Meta ka renditur 10 çështje. Arta Marku me 69 vota dhe ajo u kap KLP-ja. Pastaj, kemi dosje emblematike për zgjedhjet. Dibra dhe dosja e Shijakut, të dyja të hedhura në prokuroritë e rretheve. Të dyja nuk janë hetuar nga SPAK-u që heton Berishën 15 vjet përpara. Këtu është argumenti që SPAK-u ka ndikim politik. Duke mos hetuar paratë e vjedhura, duke mos përmendur emrin e Erion Velisë, duke i qëndruar larg Ramës.

I kanë shkuar oficerët e BKH-së në Kryeministri dhe i ka mbyllur derën dhe i ka çuar mesazh që mos i sjell më. Dhe në qeveri ka thënë asnjëri pa shkresa të rregullta të mos futet në qeveri. E kupton sa e rëndë është. Unë po them fakte. Për turpin e tyre ne mbajmë Ramën në pushtet pa u hetuar. Po them që kjo stepje e SPAK-ut, kjo ngrënie presioni dhe mos bërja e drejtësisë njësoj ne na jep koston që Rama sot rri në pushtet në mënyrë të padrejtë dhe në mënyrë jo demokratike sepse me paratë që vjedh, vjedh zgjedhjet dhe me zgjedhjet që vjedh, vjedh paratë”, tha midis të tjerash Sulo.

Bardhi: Do ta çojmë sërish në Kushtetuese mandatin e Olta Xhaçkës, deputetët e Bashës refuzojnë të japin firmat

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike do të dërgojë sërish në Gjykatën Kushtetuese çështjen e mandatit të Olta Xhaçkës, që mazhornaca e rrëzoi me forcën e kartonit në Parlament. Kështu u shpreh kreu i grupit parlamentar demokrat Gazment Bardhi në përfundim të mbledhjes së grupit.

Bardhi akuzoi Lulzim Bashën se po përpiqet të mbrojë Olta Xhaçkën, pasi 4 nga deputetët e grupit të tij, nuk kanë pranuar të firmosin kërkesën për Kushtetuesen. Sa i takon rikthimit të Sali Berisës në grupin parlamentar të PD, Bardhi u shpreh se në këtë pikë nuk ka asnjë pengesë, pasi Berisha është kryetar i Partisë Demokratike.

Kreu i deputëetëve demokratë nuk ka pranuar të komentojë sulmet e Ilir Metës ndaj kreut të SPAK Altin Dumani, ndërsa tha se qëndrimi i tij për Dumanin është publik dhe nuk ka ndryshuar.

Bardhi tha se është e pa pranueshme që kryeministri Rama nuk respekton rregulloren e Kuvendit, duke refuzuar kerkesën për mocion me debat për çështjen e Xibrakës, ndërsa akuzoi deputetët e Partisë Socialiste se po bëjnë avokatin e Olsi Ramës.bw

Klanet brenda PS-së/ Ditmir Bushati e thotë troç: Ka një luftë të egër vrasëse

Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, në një intervistë në emisionin “Now” me Erla Mëhillin, ka komentuar situatën në të cilën ndodhet Partia Socialiste.

Ai ka lënë të kuptohej se brenda kësaj force politike ka një luftë shumë të egër dhe madje “vrasëse” për karrierë.

Bushati nuk mohoi se brenda kësaj partie, ka klane të cilat janë në luftë me njëra-tjetrën.

“Nuk dua të bëj as naivin, as të bëj të paditurin, por e kam thënë shpesh që kur vjen puna për PS-në, nuk jam në pozicionin e analistit, jam në pozicionin e protagonistit për sa kohë unë militoj në PS. Nëse ju u referoheni luftërave të brendshme që bëhen për ide apo çështje të caktuara, ato ndodhin në tërë botën. Nuk ka dalë edhe shprehja e famshme që thotë që në politikë dhe në karrierë akademike, ka një luftë shumë të egër, vrasëse për karrierë, në këtë pikë nuk duhet parë as si forca e parë, as si forca e fundit”, u shpreh Bushati.

Vdekjet nga aksidentet rrugore në Shqipëri, ndër më të lartat në Europë! Vendi ynë, i gjashti në listë

Ndonëse kanë ardhur në ulje, vdekjet nga aksidentet rrugore në Shqipëri mbeten ndër më të lartat në Europë.

Sipas INSTAT, në vitin 2022, 164 persona humbën jetën nga aksidentet me makinë, ose 59 persona për 1 milion banorë. Kjo shifër është më e lartë sesa mesatarja e Bashkimit Europian prej 46 viktimash për 1 milionë banorë, sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat.

Në total, Shqipëria renditet e gjashta, pas Rumanisë që mban rekordin me 86 vdekje për 1 milion banorë, Bullgarisë (78), Kroacisë (71) dhe Portugalisë (60).

Nuk ka të dhëna të fundit për vendet e rajonit, por statistikat e mëparshme referojnë se numri i tyre është më i ulët se në Shqipëri.

Megjithatë një zhvillim pozitiv është se numri i viktimave nga aksidentet rrugore në Shqipëri ka ardhur në rënie të ndjeshme vitet e fundit.

Në 2022 u shënuan 164 humbje jete, që është shifra më e ulët e regjistruar ndonjëherë që nga viti 2000, kur raportohen të dhënat (shiko grafikun: Të vrarë në aksidente rrugore, Shqipëria). Në krahasim me 2077-n, ku u shënua rekordi i viktimave, jetët e humbura janë përgjysmuar në 2022.

Sipas INSTAT, rreth 70-80% e aksidenteve shkaktohen nga drejtuesit e mjeteve. Grupmoshat e reja 25-34 vjeç janë në përgjithësi më të pakujdesshmit.

Vdekjet nga aksidentet rrugore në BE u rritën me 4% në 2022

Sipas Eurostat, 20 653 persona humbën jetën nga aksidentet e trafikut rrugor në Bashkimin Europian gjatë vitit 2022, duke shënuar një rritje prej 4 për qind krahasuar me vitin 2021 (19 917 viktima). Numri i viktimave është rritur për dy vite radhazi pas rënies së paprecedentë në vitin 2020 (18 833), vit ku kufizimet e COVID-19 prekën transportin e pasagjerëve.

Shkalla me e lartë e vdekshmërisë rrugore u regjistrua në Rumani, ndërsa më e ulëta në Suedi.

Në vitin 2022, në BE kishte mesatarisht 46 viktima në trafikun rrugor për 1 milion banorë. Duke marrë në konsideratë popullsinë e çdo vendi të BE-së, shkalla më e ulët e vdekjeve në rrugë në vitin 2022 u regjistrua në Suedi (22 vdekje rrugore për 1 milion banorë), e ndjekur nga Danimarka (26) dhe Irlanda (31).

Ndërsa normat më të larta u regjistruan në Rumani (86 vdekje rrugore për milion banorë), e ndjekur nga Bullgaria (78) dhe Kroacia (71).

Burimi: INSTAT

Elvi Fundo: SPAK i ka dërguar Veliajt dy fletë-thirrje për tu paraqitur

Gazetari Elvi Fundo në një intervistë për Syri Tv tha se Erion Veliajt i kanë shkuar dy thirrje nga SPAK. Fundo tha se thirrja e parë i kërkonte të paraqitej në datën 10 prill në SPAK, por ishte ditë Bajrami, ndërsa thirrja e dytë i ka shkuar dje ose sot.

Fundo tha se besonte që thirrja në SPAK ka lidhje me inceneratorin e Tiranës, ku hetimet kanë avancuar, ndërsa paralajmëroi se Prokuroria Speciale ka nën hetim të tjerë drejtorë të Bashkisë së Tiranës.

“Janë drejtorë në detyrë që po hetohen nga SPAK, ndërsa Veliaj po i mban në detyrë. Ka materiale të tjera që implikojnë drejtorët e Veliajt dhe këtë të fundit në afera korruptive, të cilat do të publikohen. Është një mal korrupsioni në bashkinë e Tiranës”, tha ai.

Argita Malltezi: Nuk kam dyshim që do e fitojmë këtë betejë! A do futem në politikë? Nuk do hezitoj të bëj atë që duhet

Argita Malltezi u shpreh sot gjatë konferencës për shtyp se për çështjen e masave të sigurisë për liderin e opozitës, Sali Berisha dhe për Jamarbër Malltezin, do i drejtohen edhe Gjykatës Kushtetuese.

“Unë sot nuk kam asnjë dyshim për kapjen e sistemit të drejtësisë në të gjithë zinxhirin e saj. Për kapjen e Gjykatës së Lartë, për kapjen e Gjykatës Kushtetuese. Por është detyrë e secilit prej nesh të besojmë dhe të shpresojmë për normalitetin.

Ne betejat i bëjmë dita-ditës. Kjo është një betejë për ta fituar.  Do fitojmë njëherë këtë betejë dhe nuk kam asnjë dyshim që do fitojmë, pavarësisht se cilat do jenë modalitetet dhe ulje-ngritjet që do kemi,” tha Malltezi.

E pyetur nëse do futet në politikë, ajo tha se nuk do hezitojë të bëjë atë që duhet bërë.

“Unë nuk kam thënë në mënyrë kategorike jo ndonjëherë, kam thënë që politika nuk është në planet e mia të ardhshme. Unë mendoj se kontributi i gjithsecilit mund të jetë edhe pa u angazhuar në politikë, duke mbështetur kauza të caktuara. Kuptohet që unë jam një njeri i angazhuar politik për shkak të rrethanave familjare.

Për sa i përket rrethanave, unë nuk do të hezitoj të bëj atë që duhet të bëj,” theksoi Malltezi.

“Edi Rama dëshiron t’i marrë zgjedhjet pa luftuar. Sigurisht Edi Rama e di se tashmë ka përballë një opozitë të vërtetë. Iku koha kur opozita blihej në pazare të fshehta. Kjo është një betejë e vërtetë dhe Rama e ka të pamundur të përballet.

Koha do e tregojë nëse PD do ngrihet në vitalitetin e nevojshëm për të përballur këtë regjim që duhet shkulur me çdo mjet” deklaroi ajo.sn

Gazetari pyet drejtorin e Policisë për Ervis Martinajn, Rrumbullaku nuk përgjigjet dhe braktis konferencën

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku, në një konferencë për mediat, ka sqaruar operacionin, ku janë arrestuar disa efektivë, të dyshuar në përkrahje të personave që ndihmojnë në trafikimin e klandestinëve.

Në këtë konferencë, Rrumbullaku u pyet nga gazetari i News 24 Igli Çelmeta për fatin e Ervis Martinaj, ndërsa përgjigja e tij ishte aspak dinjitoze.

Gazetari Igli Çelmeta: Drejtor Rrumbullaku, a keni dijeni se deri ku kanë shkuar hetimet në lidhje me zhdukjen e Ervis Martinajt?

Muhamet Rrumbullaku: Po kam një përgjigje për ju. Lëri dhe kolegët e tjerë të bëjnë ndonjë pyetje. Mirupafshim.

(Balkanweb)

Shtyhet seanca në Apel, Salianji: Kam prova që denoncimi është i saktë! Ja çfarë do të paraqes më 24 prill

Deputeti i PD Ervin Salianji, në fjalën e tij për gazetarët pas shtyrjes së seancës për rastin “Babale” në Apel, u shpreh se ka prova shkencore se i gjithë denoncimi është 100 përqind i vërtetë.

Ai u shpreh se institucionet shmangën hetimin për zyrtarët përfshirë edhe hetim pasuror.

Salianji shtoi se të gjitha detajet do të shpërfaqen në seancën e datës 24 prill

“Është një denoncim i bërë nga trafikanti Geron Xhafaj. Ne kemi prova shkencore sesi është 100 përqind i vërtetë denoncimi dhe sesi institucionet kanë shmangur hetimet për Geron Xhafajn dhe Fatmir Xhafajn dhe që nuk iu janë sekuestruar pasuritë.

Besoj se detajet do të jepen më datë 24 prill. Unë nuk sulmoj personalisht asnjë gjyqtar. Gjyqtari Artan Gjermeni është në përgjime të Prokurorisë italiane, që ishte shërbëtor i fëlliqur i një anëtari të një bande në Lushnjë”, u shpreh Salianji.bw


Send this to a friend