Titulli i këtij shkrimi tregon zgjedhjen e detyruar dhe fatkeqe për ne shqiptarët në 81 vitet e fundit. Ndaj nuk ka pse të habitemi nga pankartat, parrullat dhe thirjet e fuqishme në Protestën qytetare që vijon prej gati 4 muajsh në Tiranë, në qytetet e Shqipërisë dhe nga diaspora kudo në botë. Kjo sepse edhe 36 vitet e fundit janë aq zhgënjyese sa pothuajse i barazojnë dhe bashkojnë me 45 vitet e monizmit. Edhe pse pa mohuar arritjet, veçanërisht ato në fushën e integrimit ndërkombëtar, ky konstatim qëndron, sidomos sa i takon 13 viteve të fundit.
Themi kështu, sepse ndryshe nga periudha 1991 – 2013 kur paraardhësit e Kryeministrit Edi Rama, si ata të PD-së edhe ata të PS-së qeverisën me të mirat dhe të metat e tyre jo më shumë se 8 vite rresht dhe në koalicione partiake me goxha telashe. Ndërsa PS-ja dhe Rama po hyjnë në vitin e 14-t rradhazi të qeverisjes, me ”pothuajse aspak qar dhe shumë zarar” për vendin. Edhe pse si asnjëherë më parë për 10 vite rresht të vetëm në qeveri ,Rama është i vetmi Kryeministër dhe PS-ja e vetmja parti në Europë që i kanë të gjitha pushtetet; ama jo me zgjedhje të lira dhe të ndershme; sepse ato mbeten vetëm dëshirë e mirë!
Në fakt, krahasim i mësipërm do të ishte i pavend nëse gjërat do të kishin ecur ashtu siç u mendua dhe u shpresua shumë në atë Dhjetor 1990. Sepse shoqëria jonë në përgjithësi u distancua nga monizmi dhe të këqiat e tij, ndonëse me gabimin e madh që nuk ruajtëm ato aspekte pozitive që ishin kontribute të gjithë popullit shqiptar. Ndaj, është koha të nxjerrim mësime nga pësimet. Se kështu korrigjojmë gabimet e rrugëtimit tonë të gjatë. Pa përsëritur përvojat negative të kaluara. Sepse, siç thotë edhe Edmund Burke ”ai që nuk njeh të kaluarën është i dënuar ta përsërisë atë”.
Ndonëse periudhën e sotme disa e quajnë tranzicion i stërzgjatur, në fakt, shumica e treguesve kryesorë sintetikë dëshmojnë se kemi rënë, siç i thonë fjalës, ” nga shiu në breshër” dmth nga diktatura në demokraturë, ose demokraci me fjalë dhe diktaturë në praktikë. Autori i këtyre radhëve i ka përjetuar gjatë dhe aktivisht këto dy periudha. Ndaj, më poshtë po ndalemi në disa prej ngjashmërive, dallimeve dhe eskremiteteve kryesore që vërtetojnë pohimin e mësipërm, i trishtë siç është.
Njihet tashmë mirë propaganda e madhe deri në vitet 90 në të gjitha fushat; ajo i bënte jehonë arritjeve madhështore të sistemit tonë socialist nën udhëheqjen e PPSH dhe liderit të saj. Gjithsesi, do pranuar se pavarësisht nga tepërimet, propagandoheshin fakte, dukuri dhe vepra konkrete. Me një fjalë, këngët, filmat, poezitë, shfaqjet e teatrit të politizuara dhe hera herës butaforike u bënin jehonë uzinave, kombinateve, shkollave, spitaleve dhe rrugëve të reja të ndërtuara kudo.
Ndërsa sidomos në këto 13 vitet e fundit kur na u premtuan vërtet qiejt, kemi kryesisht një superpropagandë me mjete të shumëfishuara, me rrjetet sociale, me podcaste, por që në më të shumtën e rasteve ajo ” shet” asgjënë, fjalë boshe dhe premtime që shkelen si pa gjë të keq. Madje edhe ato rrugë që ndërtohen, inaugurohen disa herë, sidomos në prag fushatash zgjedhore me pompë dhe bujë por prapë shembën në rastin më të parë në kontrast të thellë me veprat pse të mos e themi pa hile të asaj kohe që me riparimet e rastit janë aty edhe sot e kësaj dite.
Atëhere gazeta, radioja dhe televizori hapej me traktorë dhe kombajna arave, me planet e grurit e të misrit që tejkaloheshin dhe kongrese partie që na kishin mbirë vërtet në sy. Por prapë ajo ”ishte lule” kur e krahason me propagandën e sotme që vërtet ta shpif. Tani të gjitha lajmet ditë e natë hapen dhe mbyllen me drogë, vjedhje, kronikën e zezë dhe fjalime pambarim të liderëve që flasin pa thënë asgjë.
Në vitin 1986 në Tiranë u hodhën plot fishekzjarre se Meksika na akordoi demek Çmimin Botëror të Ushqimit; në fakt ishte një certifikatë nga një shoqatë e panjohur ushqimore në Meksikën e largët që nisur nga fakti se ne plotësonim vetë nevojat tona për drithra e kishte paraqitur atë në një ekspozitë lokale atje dhe autoritetet tona e frynë dhe e kthyen në tollumbace butaforike. Sepse diheshin mungesat e tmerrshme në ato vite për artikujt bazë ushqimorë dhe kur gdhiheshim te radha e qumështit dhe djathit. M’u kujtua ky episod kur një muaj më parë, një institut në Estoninë e largët na akordoi çmoi si vendi më i mirë për kibernetikën, madje duke lënë pas SHBA-të dhe Gjermaninë. Çfarë ironie kur dihet se te ne nuk ka mbetur e dhënë personale pa dalë në treg dhe skandalin e madh që tronditi AKSH-në pikërisht në këtë fushë, ku gjendja është vërtet shumë më e rëndë se tullonat tona ushqimore atëhere! Se sido të vinte puna, prapë pa gjë nuk mbeteshe.
Në fund të viteve 80 ekonomia jonë po lëngonte me mungesa të llahtarshme. Dhe prapë na thuhej se gjendja nuk është aq e keqe, se demek fajin e ka organizimi i punës, administrata e nivelit të mesëm, propaganda joefikase dhe sqarimi i pamjaftueshëm i popullsisë. Dhe o burra në terren si edhe sot. Pastaj, nga fundi i viteve 80 propaganda shpiku terma të rinj joshës si ” mekanizmi i ri ekonomik, tregtia me kompensim, privatizimi me bono, etj.
Mirëpo, edhe sot po bëhet e njëjta gjë, fajet i hidhen të gjitha administratës, edhe pse ajo është dyfishuar dhe internetizuar, por me shumë patronazhistë. Me terma të reja të kopjuar dhe të përshtatur nga periudha e atëhershme. Rama flet me bollëk për Besë, Besnikëri dhe Prani besnike; tamam si dikur kur e kishin në majë të gjuhës ” besnikërinë ndaj partisë, vijës së saj të drejtë” ndërsa sot besa dhe besnikëria ndaj PS-së dhe Edi Ramës. Ja shihni, a nuk ”ngjajnë si dy pika uji” sloganet “Me Enverin, me Partinë“ me “Me Edin, me PS-në! Edhe Pasqyra sot është kopje, ajo na kujton këshillën e Partisë që ta shihnim vehten çdo ditë në pasqyrën e ndërgjegjes; si atëhere edhe tani kërkohen takime javore ”gju më gju“ me popullin për ta njohur atë me të vërtetën dhe algoritmet sipas saj fajtore edhe për protestat
Më tej, si atëhere kur në komandë ishte Partia kështu ndodh edhe sot, vetëm se sot nuk është e shkruar në Kushtetutë por e ndesh në çdo hap të jetës. Kështu, bie fjala, vetë Rama e thotë me mburrje se ishte PS-ja ajo që bëri reformën në drejtësi, kur dihet se ajo pati dhe ka konsensusin e të gjitha partive politike. Në fakt, PS-ja dhe sidomos Rama vetëm se po vjel(l)in përfitimet prej saj. Sot shumë më tepër se para viteve 90, nëse do të ecësh në karrierë, të fitosh tendera dhe pasuri futu në PS, bëhu patronazhist, ndryshe dil nga rreshti ose mbathja jashtë vendit!!
Edhe demokracia në PPSH atëhere ishte më e zhvilluar se sa në PS e sotme, natyrisht brenda linjave ideologjike. Atëhere, por edhe pas asaj periudhe deri në vitin 2013, si te PS-ja edhe te PD-ja kishte diskutime, propozime dhe kundërshtime me guxim, madje deri në atë pikë sa largoheshe apo edhe dënoheshe nga Partia; ndërsa sot PS-ja, nëse mund të quhet ende kështu i ngjan një garnizoni ushtarak me disiplinë të hekurt, ku askush nuk bën dot ”as gëk as mëk”, por vetëm ngre dorën për miratim, ndryshe hap krahun! E pamë këtë ditët e fundit kur në takimin me socialistët në Berat, Rama u tha ”qepeni gojën dhe dilni përjashta”, diçka që deri tani nuk kishte ndodhur përderisa ishe brenda vijës së Partisë!
Për pasojë, dje kishim atë që njihej si Parti Shtet, ndërsa sot kemi “binjakun“ e tij, Uni ose “Rama Shtetin“. Praktikisht Rama ka po ato pushtete se Enveri dje; madje ai jep edhe dekorata, që i pari atëhere nuk e bënte, se ato janë kudo në botë kompetenca të Kryetarit të Shtetit. Gjithashtu, ndryshe nga atëhere, edhe pse dihej që gjithçka ishte vendosur nga Partia, por të paktën formalisht procedurat respektoheshin dhe priteshin vendimet gjyqësore; ndërsa sot shkatërrohen biznese dhe godina dhe pastaj ti shkon në gjykatë; kjo e fundit, e ndodhur përpara faktit të kryer të thotë se tani është tepër vonë dhe se e ”ka marrë ferra uratën!”
Më tej, shumë e rëndësishme, atëhere ishte vërtet diktaturë, kishte politizim dhe ieologjizim sa të duash; por prapë ndryshe nga sot kishte seriozitet, përgjegjësi dhe qeverisje në të gjitha nivelet. Funksiononin natyrisht me difektet e tyre qeveria, rrethet, institucionet shtetërore në të gjitha drejtimet dhe kishte shumë profesionalizëm. Nuk ishte nevoja të takoje deputetin dhe as për ” Prani besnike” javore për të zgjidhur halle; po, mund të ankoheshe te Partia për vonesa dhe moszgjidhje të tyre, por shtetin/pushtetin e kishe te shtëpia, te lagja dhe te fshati.
Ndërsa sot, sidomos në nivelet vendore nuk ka pothuajse fare qeverisje dhe as ekspertizë të vërtetë profesionale. Ja, shihni bashkitë, nuk riparojnë dot një rrugë 200 metra dhe nuk zgjidhin dot hallin e një familjeje në nevojë, sepse ka përplasje ligjesh, kompetencash dhe mungesë fondesh. Dhe në vend që të riparohen difektet dhe të zgjidhen problemet, ato thjesht ”paketohen me amballazh” dhe me terma të reja moderne. Tani Bashkitë janë bërë si dikur komitetet ekzekutive të rretheve; ato i kontrollon në çdo hap qeveria dhe Kryeministri që i mbledh drejtuesit e tyre sa herë t’i dojë qejfi, sikur ata të ishin punonjës të ministrive dhe Kryeministrisë dhe jo të zgjedhur nga populli!! Për pasojë, autonomia e pushtetit vendor, kusht i rëndësishëm i anëtarësimit në BE ka mbetur në letër dhe as që kujtohet njeri!
Më tej, nëse dje përgjegjësia politike, morale dhe institucionale shtrihej në mënyrë ekstreme dhe fatkeqe deri në rrënjët e familjes biologjike, sot ajo ka kaluar në ekstremin tjetër, duk u reduktuar thjesht në përgjegjësinë personale. Ndërsa përgjegjësia penale pengohet me lloj lloj sofizmash ligjore, loja me prezumimin e pafajësisë dhe ndërhyrjet e shumta te pushteti gjyqësor që vepron me dy standarde, si në rastin e dosjes Balluku, shembulli më i keq por as i vetmi dhe as i fundit!
Atëhere ishte lufta e klasave me pasojat e saj të llahtarshme dhe të papërsëritshme me përndjekje, burgime dhe pushkatime të kundërshtarëve politikë që konsiderohesin ” armiq të popullit”. Për fat të mirë, sistemi demokratik nuk lejon më linçime dhe tragjedi të tilla njerëzore. Megjithatë, pa harruar shembjen e shtetit më 1997 dhe ngjarje të tjera të njohura tragjike, sot vendin e tyre e kanë zenë dy të këqia të tjera me pasoja jo më të vogla tashmë për gjithë shoqërinë – krimi dhe korrupsioni galopant që kanë depërtuar në qelizat e shtetit dhe pushtetit. Mirë, mirë, do të thotë dikush, por tani nuk dënohet kush për propagandë dhe agjitacion si atëhere. Por, por as këtu nuk jemi të imunizuar, sepse së shpejti mund të rivendoset Neni famëkeq 55 për agjitacion dhe propagandë, tani me një emër më të bukur alla ”rilindshe” është çështje kohe.
Atëhere ishim vend autarkik, me ekonomi të mbyllur, kur toka as blihej dhe as shitej; kur nuk pranonim asnjë borxh, hua dhe kredi, gjithçka vetëm me forcat tona. Ndërsa sot jemi kthyer në të kundërtën, jemi mbytur me borxhe, me hua dhe kredi me emra të gjthfarëllojshëm, me ekonomi të shqyer nga të gjitha anët, ku kanë hyrë derri dhe dosa bashkë! Po të vazhdojnë edhe pak kështu marifetet socialiste, vështirë se do të mbetet tokë shqiptare! Përpara viteve 90 ishte bërë shtetëzimi total me pasojat e tij të njohura. Mirëpo, pas dështimit të privatizimit me gjithëfarë emrash dhe koncesioneve famëkeqe, qeveria Rama po kalon drejt supershtetëzimit total; vetëm se ndryshe nga ai i monizmit, këtu vetëm emrin ka të tillë, se shteti jep të gjitha fondet, ndonëse ka pakicën e aksioneve, por ligjin e bëjnë kompanitë e maskuara ose guackat private të cilat marrin edhe fitimet e majme; dhe prapë efektiviteti dhe performanca e tyre është vërtet për tokë dhe as që mund të krahasohet me atë të 50 viteve më parë; për të mos përmendur korrupsionin dhe plaçitjet e pronës shtetërore që po bëjnë kërdinë çdo ditë!
Së fundi, në planin e jashtëm, si fanar ndriçues i socializmit dikur i jepnin mend botës, lëvizjes marksiste-leniste, krenoheshim si vendi i parë ateist në botë, pa taksa dhe tatime! Mirëpo edhe sot po bëjmë të njëjtën gjë. Edhe pse kemi mbi 30 vjet që presim te paradhoma e BE-së, ngutemi dhe nuk lemë forum kudo në botë pa u dhënë mend, pa u rrahur gjoksin dhe pa treguar rekorde gjithandej, kur punët në shtëpinë tonë i kemi lesh e li; kur shumica e njerëzve me shumë vështirësi sigurojnë artikujt bazë të jetës, me pensione qesharake, me çmime që veç rriten dhe mbrojtje sociale mjerane. Deri kur nisi Protesta qytetare paqësore në Tiranë e cila ia çorri maskën ”liderit global”, Rama ishte bërë “një Pasha në Misir por shtëpia s’ka hair“! Duke e kthyer edhe avionin në taksi e duke mos lënë forum provincial pa shkuar dhe pa dëfryer njerëzit me gallatë dhe batuta, si magjistar i vëmendjes publike dhe duke u thënë homologëve të vet “hajt baba të të tregoj arat“! Vetëm se harronte që ndonëse qëndron në një tryezë me të mëdhenjtë e botës, Rama prapë është peshë pupël në gjeopolitikë.