VOAL

VOAL

Prokuroria kërkon sekuestrimin e tokës 25 mijë metra katrorë në Razmë, janë të falsifikuara

Prokuroria e Shkodrës ka kërkuar vendosjen e sekuestros preventive për 25 mijë m2 tokë në zonën e Razmës.

Toka kryesisht masiv pyjor ndodhet në zonën e Malësisë së Madhe. Kërkesa e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Shkodër që regjistroi procedimin penal në mars 2016 është pranuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër në 25 prill 2018.

“Sektori i Hetimit të Veprave Penale në fushën e krimit ekonomiko-financiar dhe korrupsionin në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Shkodër kërkoi vendosjen e sekuestros preventive mbi rreth 25 000 m2 tokë e llojit pyll, në Razëm të Malësisë së Madhe”, njofton Prokuroria.

Prokuroria bën me dije se vendimet e komisionit të Kthimit të Pronave për ish-pronarët janë të falsifikuara për rrteh 52 mijë m2 tokë.

“Kjo sipërfaqe ndodhet ende e regjistruar në favor të përfituesve të vendimit të Kthimit dhe Kompesimit të Pronave ish-pronarëve. Hetimet treguan se vendimet e Komisioni të Kthimit dhe Kompesimit të Pronave ish-pronarëve, Rrethi Malësi e Madhe, me anë të të cilëve janë kthyer 53 906 m2 tokë e llojit pyll në Razëm, janë të falsifikuara”.

Vazhdojnë hetimet për funksionarët publikë që kanë dhënë këto vendime si dhe përfituesit të pasuritë në mënyrë të paligjshme për kryerjen e veprës penale “Falsifikim i dokumentave” parashikuar nga neni 186 i Kodit Penal dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” parashikuara nga neni 287 i Kodit Penal.

Lubonja: Antishqiptare t’i japësh frymëmarrje kësaj qeverie, do jetë vonë nëse nuk marrim masa

Duke folur për vizitën e kryeministrit Edi Rama në Gjermani, në lidhje me vendimin në fund të qershorit të BE për negociatat me Shqipërinë, analisti i njohur Fatos Lubonja ne “Studio e Hapur” tha se “Shqipëria ka bërë hapa mbrapa në shumë drejtime këto vitet e fundit” dhe se “është antishqiptare t’i japësh frymëmarrje ketij kryeministri me hapjen e negociatave”.

“Më duket një debat fyes që unë të diskutoj sikur bëhet fjalë për ndonjë ndeshje futbolli fitoi apo humbi, ku mendimi që jep Gjermania, apo cilido qoftë shteti, qenka më i rëndësishëm se sa mendimi që kemi ne në Shqipëri që jetojmë përditë me gjithë problemet e saj.

Shqipëria ka bërë hapa mbrapa në shumë drejtime këto vitet e fundit, qoftë me kanabizimin, rritje të autoritarizmit të Ramës dhe vendime arrogante të papara. Të gjitha i përmbledh fakti se numri i shqiptarëve që duan të ikin është rritur në mënyrë dramatike. Kemi një regres, edhe për reformën ne drejtesi, shoh që ajo po e fut vendin në kaos, por do presim ca muaj për ta parë tamam.

Edhe kur flitet për Tahirin, është gabim a thua se po u fut ky ne burg hyjmë në Evropë. Flitet për një ministër që ka futur ministrinë pjesëtare në trafikun e drogës, për një ekonomi kriminale që tani po na transformohet në pallate që po na marrin frymën.
S’ka Merkel dhe Macron s’ka njeri që mua më mbush mendjen. Është antishqiptare t’i japësh frymëmarrje kësaj qeverie, të cilën duhet ta rrëzojmë sa më shpejt. Ky kryeministër arrogant duhet ndaluar. Si mund t’i japësh këtij frymëmarrje, hapësira akoma, do jetë vonë nëse nuk marrim masa që tani”.

Dashuria e pamundur mes Lejlës dhe Mexhnunit në dorëshkrimet e Drejtorisë së Arkivave

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave po pasuron përditë e më shumë publikun dorëshkrime me vlerë të madhe kulturore dhe historike që janë pjesë e vyer e kësaj arkive.

Kështu , në Fondin “Koleksione dorëshkrimesh osmane, arabe e perse”, në dosjen 383, ruhet një dorëshkrim që përmban historinë e dashurisë mes Lejlës dhe Mexhnunit.

Teksti është shkruar në 60 fletë letre me përmasa 180 x 135 mm, në osmanisht. Autori i veprës është i mirënjohuri Muhamed Fuzuli, i cili e shkroi atë në vitin 1219 / 1803, dhe është kopjuar nga Ismail, i biri i Hysejnit.

Libri është historia e një dashurie të pamundur mes Lejlës dhe Kajsit, i mbiquajtur Mexhnun (i çmendur), përshtatur në osmanisht sipas origjinalit të shkrimtarit pers Nizami Ganjavi.

Së shpejti, ky dhe të tjerë libra, në një ekspozitë.(Atsh)

 

 

 

 

Banka e Shqipërisë: Të ardhurat e familjeve shënuan rënie në 6-mujorin e dytë 2017

Niveli i të ardhurave të familjeve shqiptare ka shënuar rënie gjatë gjashtëmujorit, ndërsa niveli i shpenzimeve ka vijuar prirjen rritëse, duke rezultuar në ngushtim të balancës financiare (të ardhura-shpenzime), raportoi sot Banka e Shqipërisë në raportin për Stabilitetin Financiar në vend.

Vrojtimi i gjendjes financiare dhe huamarrjes së familjeve kryhet çdo gjashtë muaj mbi një kampion rastësor prej 1,209 familjesh, rreth 56% e të cilave jetojnë në zonat urbane dhe 44% në zonat rurale të vendit.

Sipas Bankës gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2017, numri i të punësuarve në kampionin e vrojtuar ka shënuar rritje në terma vjetorë, mbështetur kryesisht nga punësimi në sektorin shtetëror.

Rreth 28% e familjeve deklarojnë se kanë hua për të paguar dhe kjo peshë ka mbetur e njëjtë krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar, por në rënie krahasuar me një vit më parë.

Në 37% të rasteve të huamarrjes, familjet i janë drejtuar burimeve formale (banka dhe institucione jobankare) në formën e produkteve të kredisë dhe në 63% të rasteve i janë drejtuar burimeve joformale, kryesisht para në dorë.

Qëllimet kryesore të huamarrjes mbeten: për konsum (42% e rasteve të huamarrjes), blerje/ riparim prone (26% e rasteve) dhe zhvillim biznesi (12% e rasteve).

Gjatë periudhës së vrojtuar, peshat e rasteve të huamarrjes për konsum dhe blerje prone kanë shënuar rënie. Në tepricën e huamarrjes, rreth 46% e tepricës së huasë deklarohet për ‘blerjen/riparimin e një prone’, 31% për ‘zhvillimin e një biznesi’ dhe vetëm 6% për ‘qëllime konsumi’. Në përbërje e tepricës sipas monedhës rezulton se 92% e saj deklarohet në Lek dhe vetëm 8% në euro.

Familjet huamarrëse vlerësojnë rënie të këstit të huasë gjatë periudhës referuese, duke reflektuar prirjen rënëse të normës së ponderuar të interesit të kredisë për individët. Shumica e familjeve huamarrëse kanë deklaruar se aftësia e tyre paguese nuk ka ndryshuar gjatë periudhës, ndërsa pjesa tjetër deklarojnë kryesisht përkeqësim.

Shumica e familjeve (rreth 72%) nuk presin ndryshim të aftësisë paguese në gjysmën e parë të vitit 2018, ndërsa pjesa tjetër, (pra ata që presin “përkeqësim” dhe ata që presin “përmirësim”), kanë rezultuar në numër të barabartë.

Mundësia për të marrë hua gjatë pjesës së parë të vitit 2018 ka rezultuar pothuaj në nivelin e mesatares afatgjatë por me prirje të lehtë rritëse, çka mund të sinjalizojë një gjallërim të kërkesës për kredi nga sektori i individëve./monitor/

Çfarë deklaroi Rama për Saimir Tahirin para deputetëve gjermanë

“Çështja e Saimir Tahirit u diskutua me kryeministrin dhe ai na siguroi ne të gjithëve se do të veprojë menjëherë sapo të ketë prova të mjaftueshme nga prokuroria”. Kështu deklaroi Josip Juratovic, deputet i SPD-së, (opozitës), në Bundestagun Gjerman në një intervistë ekskluzive për emisionin ‘Studio e Hapur’ në ‘News24’. Deputeti, njëherësh edhe anëtar i Komitetit Europian të Bundestagut. Z. Juratoviç u pyet rreth vizitës së kryeministrit Rama në Berlin. Deputeti i rëndësishëm i Partisë Social Demokrate deklaroi se Rama kishte sqaruar para zyrtarëve gjermanë edhe keqkuptimet që kishin lindur me disa media për deklaratën e Krichbaum

“Takimet që zhvilluam me kryeministrin ishin të relaksuara dhe jo të tensionuara. Edi Rama na shpjegoi se media kishte krijuar disa keqkuptime lidhur me Krichbaum dhe se edhe ai vetë kishte qenë një viktimë. Disa media duket që kanë interesa që ta bëjnë hapjen e negociatave sa më të vështirë. Edi Rama vizitoi edhe komitetin europian të Bundestagut ku promovoi rëndësinë e hapjes së negociatave me Shqipërinë. A e tha hapur se kërkon që Shqipëria të jetë sa më parë pjesë e BE-së dhe kjo arrihet duke hapur negociatat. Në të njëjtën kohë ai e di se Shqipëria duhet të plotësojë kushtet.

Studio e Hapur e pyeti Z Juratoviç nëse çështja e Saimir Tahirit kishte qenë pjesë e diskutimeve me kryeministrin dhe se çfarë u ka deklaruar kryeministri Rama në këtë Rast.

“Çështja e Saimir Tahirit u diskutua me kryeministrin dhe ai na siguroi ne të gjithëve se do të veprojë menjëherë sapo të ketë prova të mjaftueshme nga prokuroria. Sa i përket heqjes së imunitetit, ne kemi kritere të ndryshme nga Shqipëria. Megjithatë, dua ta bëj të qartë se kriteret për hapjen e negociatave nuk vendosen nga Gjermania e as nga ndonjë vend tjetër i BE-së, por nga të gjitha vendet së bashku. Gjermania apo asnjë vend tjetër i BE-së nuk do ti kërkojë kurrë një qeverie të një vendi tjetër të provojë kredibilitetin e saj duke arrestuar një zyrtar. Ajo çka është e rëndësishme është zbatimi i ligjit”, tha ai.

Në fund, z. Juratoviç u pyet se cilat janë shanset që në qershor Gjermania të votojë në favor të hapjes së negociatave: “Unë jam në favor të hapjes së negociatave. Dhe sigurisht nuk jam i vetëm në qëndrimin tim. Megjithatë, është e vështirë për të thënë se në cilin krah qëndron shumica në këtë pozicion pasi nuk ka patur asnjë votim deri tani. Unë do të vazhdoj të suportoj procesin e demokratizimit. Në fund të fundit, një refuzim i hapjes së negociatave dhe perspektiva e tyre, thjesht sa do të inkurajonte kundërshtarët e zgjerimit të Bashkimit Europian.”, përfundoi ai.

Vetingu, japin dorëheqjen 300 efektivë në Polici dhe në Gardë

ETLEVA DELIA/ Që prej nisjes së procesit të vetëdeklarimit më datë 5 prill, 300 punonjës Policie dhe të Gardës së Republikës kanë dhënë dorëheqjen.

 

Megjithëse nuk ka të dhëna zyrtare për numrin e punonjësve të larguar gjatë procesit të vetingut, burimet thanë se dita-ditës efektivë në të gjithë drejtoritë vendore kanë hequr dorë nga detyra. Mësohet se 4 prej të larguarve janë drejtues të lartë, ndërsa 100 janë punonjës të Gardës.

Motivi i dorëheqjeve, më shumë se frika nga vetingu, duket se ka qenë paqartësia në plotësimin e formularëve apo edhe koha që, sipas tyre, ka qenë e pamjaftueshme. Në fakt, shifrat mund edhe të trefishohen deri më datë 5 maj, kur është parashikuar afati i fundit për dorëzimin e formularëve.

Sindikata e Policisë parashikon që deri më këtë datë mund të largohen nga Policia e Shtetit të paktën 2 mijë punonjës Policie, pa llogaritur ata të Gardës së Republikës, apo të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat.

DOKUMENTET

Nga ana tjetër, qindra efektivë vijojnë të jenë të paqartë sa i përket dokumentacionit shoqërues. Ata shprehen se, ligji i vetingut e parashikon qartë që dokumentet janë të domosdoshme. Megjithëse zv.ministri i Brendshëm, në disa intervista është shprehur se dokumentet nuk janë të nevojshme, punonjësit e Policisë vazhdojnë të mbledhin dokumentacionin.

“Nëpërmjet medias jemi njohur me deklaratat e zv.ministrit se dokumentet nuk duhen. Por ne deri tani nuk na ka ardhur një udhë- zim me shkrim, apo telegram, që të na konfirmohet zyrtarisht ky fakt. Në këto kushte jemi të detyruar të zbatojmë ligjin. Ligji thotë që duhen dhe ne po përpiqemi t’i grumbullojmë, nëse do kemi kohë”, shprehen disa punonjës Policie.

PUNA INFORMALE

Një punonjës Policie që ka përfituar të ardhura nga punë informale që mund të ketë kryer, mjafton t’i deklarojë në formularin e pasurisë dhe nuk kërkohet asnjë dokument shoqërues. Por edhe këto të ardhura e kanë një limit. Vetingu pranon deri në 1.5 milionë lekë të rinj, të përfituara jashtë kontrollit tatimor.

Ky “lëshim”, në funksion të vetingut në Polici, ka ardhur pasi qindra punonjës Policie, pranojnë të kenë punuar “në të zezë”, si brenda dhe jashtë vendit. E për të justifikuar të ardhurat e përfituara në informalitet, është gjetur si zgjidhje vetën deklarimi i tyre në formular, pa pasur nevojë për ndonjë dokument shoqërues.

Në një intervistë që dha pak ditë më parë për gazetën “Panorama”, zv.ministri i Brendshëm, Julian Hodaj, foli edhe për punën që shumë punonjës Policie mund të kenë kryer në “të zezë”. Sipas tij, mjafton thjesht që të deklarohen të ardhurat që janë përfituar nga puna informale dhe gjithçka është në rregull. Madje, ai premtoi që, në rast se do ketë ndonjë pasaktësi apo gabim në përllogaritjet e të pasurisë, askush nuk do të penalizohet.

PANORAMA

PD-LSI braktis mbledhjen e Këshillit Bashkiak: Me 6 mandate false, mafia e naftës betonizon Parkun Rinia

TIRANE– Këshilltarët e LSI dhe PD janë larguar nga mbledhja e Këshillit Bashkiak ditën e sotme, ku pritej të diskutohej e më pas të miratoheshin një sërë vendimesh të rëndësishme. Pasi kanë dalë nga ambientet e Bashkisë, këshilltarët e opozitës kanë shpjeguar edhe arsyet e vendimit të tyre.
Këshilltari demokrat Kreshnik Çollaku tha para mediave se në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës marrin pjesë 6 anëtarë me mandate të falsifikuara.

Sipas tij, kjo bëhet me qëllim që të rritet numri i votave, për të kaluar vendimet që kërkojnë 2/3 dhe 3/5 e votave.

“Grupi i këshilltarëve të PD dhe LSI vazhdojmë të mbajmë një marrëdhënie të kushtëzuar me Këshillin Bashkiak të Tiranës. Kjo është e kushtëzuar nga prania në këtë këshill e 6 anëtarëve me mandate të bëra nul nga Gjykata. Silen sikur janë këshilltarëve, debatojnë dhe votojnë sikur janë të tillë. Prania e tyre vë në erë legjitimitetin e Këshillit Bashkiak. Kjo bëhet për të votuar akte të tilla kriminale, siç është projekti i sponsorizuar nga një mafie e re në Tiranë, siç është mafia e naftës, që kërkon të betonizojë parkun “Rinia”. Vendimi i dytë që është edhe më kriminal është fillimi i rrugës për shkatërrimin Teatrit Kombëtar dhe ndërtimit aty të disa kullave. Ky është një tanibalizëm kulturor. Ky vendim kërkon 3/5 të votave të këshillit bashkiak. Këto vota ata sot nuk i kanë, nuk do t’i kenë nesër, dhe asnjëherë për sa kohë do ët jenë këta persona në Këshillin bashkiak. Cdo gjë që ndodh në atë sallë është e paligjshëm dhe kompromentuar. Sot grupi që mbështet PS dhe bashkinë e Tiranës, është minorancë. Mbajnë brenda njerëz me mandate të falsifikuar për të çuar përpara projekte të sponsorizuara nga mafia. Ndaj ne jemi këtu jashtë, në mbështetje të qytetarëve, në mbështetje të kryeqytetit”, u shpreh këshilltari Çollaku.

FUNDI PA LAVDI I ALFRED PEZËS – Nga KOLEC TRABOINI

 I ngecuri peng në rrjetën e gjyqësorit shfaqet për natë në Media Kazan TV ku me një kompetencë habitore flet për Reformën ne Drejtesi, Vetingun e luftën kundër korrupsionit. Dhe ngecja e tij si peshk në rrjetë është jo pak por shuma 1 milion dollarë, me të cilat zotëriu bleu aksione në Credins Bank. E po kësaj ç’i thua? Melçitë na qënkan më të sigurta se kudo në qafën e ujkut socialist. Hosanna!

Lavdimjerë ka përfunduar deputeti, që Kryeministri i sotëm në fillim të vitit 2013, e shiti në media si zbulim, si një yll plot shkelqim, si një ardhje e re e suksesshme e Rilindjes së tij që tashmë pas 5 vjetësh në pushtet, ka dështuar dhe ajo si në qellim e program. Ky draguman i Partisë, i babëzitur në pasurim, perfundoi si limon i shtryllur. Një hije e vetvetës që del e flet nëpër media TV, të cilat i ka zënë me radhë, e llapa-llap për veting e drejtesi, kur ky tashmë në fundin e vet pa lavdi, është kthyer një peshk merluc i ngecur në rrjetën e Drejtësisë. Me jo pak por 1 milion dollarë me të cilat zotëria i tij ish deputet i Qeverisë bleu aksione banke.

Ndonjë avokat dinak apo vetë Partia e Rilindjes Socialiste e ka udhëzuar të jetë i pranishëm në Media përditë, që gjyqtarët, të hallakatur tashmë, të cilët nuk ngurrojnë të dënojnë rreptë hajdutë xhepash varfanjakë por jo megavjedhesit milionerë, të jenë nën presion pra, për të mos e dënuar Alfred Pezën se ky gjasmë është për reformën në drejtësi. Shiheni. Përnatë ju ça fyti e gërryen barku duke fol për drejtësi. Parim i mos dënimit të kriminelëve dhe të korruptuarve në pushteti ka qënë moto e të gjitha qeverisjeve të tranzicionit pas vitit 1991, në një shoqëri të molepsur prej së keqes ku hajduti thërret kapeni hajdutin. Ashtu siç në këtë vend çudirash mesjetare, del e flet për drejtësi ish ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, që ka si gur në qafë jetët e marra të 26 njerëzve në Gërdec, duke përfshi gra e fëmijë. Një krim i përbindshëm e askush i dënuar. Drejtesi Medi, drejtsi. Për të tjerët e për vete kurrsesi.

Po le të lëmë në një anë opozitarët që edhe ata janë të molepsur keq e më keq në afera korruptive kur ishin në qeverisje e të merremi me pushtetarët e tanishëm.

Thua me këta “peshq” të tipit Peza nëpër rrjetat e gjyqësisë do ta bëjë Reformen e Drejtësisë e Vetingun Qeveria? Se dorëheqjen e jep, por Saimir Tahirin e Cannabisit nuk e dorëzon Qeveria. Kësisoj del përnatë në Media kazan TV, kësaj radhe në ABC News, ish deputeti i Rilindjes Alfred Peza dhe flet plot pasion të shtirur e shpifur për Veting e Drejtesi. Konkluzioni që nxjerr njeriu i thjeshtë tek dëgjon kësisoj tartufësh politikë është, vidhni e ripni këtë popull se ju mbron Drejtësia e Qeverisë më të korruptuar në Europë dhe më gjërë, simbas Departamentit Amerikan të Shtetit në prill 2018.

Kësisoj të hyjmë në Europë me brekët korruptive të Alfred Pezës nëpër këmbë. Vazhdo oratorinë bajate në Media kazanet televizive të kapura të Tiranës, o peshk i ngelur në rrjetë të Drejtesisë me 1 milion dollarë aksione Banke, fol pa tu dridhur syri për Reformë e Veting se kur flet ti, vend i trupit pa na u ngritur qimet përpjetë nuk ngelet. Kaq i drejte e orator reformator i madh e i respektuar i Rilindjes Socialiste je.

Por sidokudo më kot i shkarkon bateritë nëpër Media kazanët  televizivë të kapura të Tiranës duke bërë moral ky ish-deputet, sepse siç e ka thënë Indro Montaneli, gazetarët që kanë 1 milion janë hajdutë dhe nuk kanë të bëjnë në asgjë me gazetarinë.

25 prill 2018

Denoncimi i revistës amerikane, reagon LSI: “Mother Jones” do e hedhim në gjyq

Lëvizja Socialiste për Integrim ka reaguar në lidhje me skhrimin investigativ të botuar nga revista amerikane “Mother Jones”, ku denoncon se kjo parti politike ka paguar një kompani të dyshimtë në Qipro përmes së cilës ka lobuar pranë Presidentit të SHBA-ve Donald Trump.

Në reagimin e saj, LSI e cilëson këtë artikull krejtësisht të pavërtetë, duke theksuar se shumë shpejt kjo revistë do të hidhet në gjyq.

“Mother Jones-Father Soros. Perse Mother Jones ka frike nga përgjigjet e LSI-se? Mother Jones nuk ka pasqyruar përgjigjet e LSI. LSI do hedhi Mother Jones ne gjyq për shpifje. Mother Jones tregoi qe paguhet nga parate e droges se Edi Rames. Sa here ka komunikuar Mother Jones me Endri Fugen?”- thuhet në reagimin e LSI.

Deputetët gjermanë “gozhdojnë” Ramën: Pse nuk lejuat arrestimin e Tahirit?!

Çështja e ish- ministrit të Brendshëm, Saimir Tahirit u bë objekt diskutimi edhe gjatë vizitës së Ramës në Berlin.

Deputetët gjermanë i kanë kërkuar llogari Ramës se përse mazhoranca rrëzoi kërkesën e prokurorisë për arrestimin e Tahirit.

“Si ka mundësi që një ish- ministër dhe deputet që i bëhen akuza aq të rënda si në rastin e Saimir Tahirit, nuk i hiqet imuniteti, por mbrohet nga mazhoranca qeveritare”, ishte pyetja e deputetëve gjermanë drejtuar Ramës.

Mësohet se Rama është shprehur se Tahirit i është hequr plotësisht imuniteti, por kjo është kundërshtuar nga raporteri për Shqipërinë i Grupit Parlamentar CDU, deputeti Thorsten Frei.

Frei është shprehur se kërkesa e prokurorisë për Tahirin është hedhur poshtë nga deputetët e mazhorancës.

Qeveria nuk iu jep çertifikate sigurie deputetëve, bllokohet komisioni hetimor për Saimir Tahirin

Deputeti i PD Enkelejd Alibeaj, anëtar i komisionit “Tahiri”, ka denoncuar sot se deputetët e opozitës nuk pajisen me çertifikata sigurie prej më shumë se 1 muaji.

Sipas tij, “Edi Rama bllokon opozitën për hetimin në Komisionin “Tahiri”.

Deklarata e plotë:

 

6 jave pas ngritjes së komisionit hetimor “Tahiri”, nuk është bërë asnjë veprim i rëndësishëm hetimor, sepse puna e anëtareve, përshirë kryetarin, është bllokuar me urdhër të arkitektit dhe përfituesit kryesor  të kanabizimit të vendit, kryeministrit Edi Rama.

Me një urdhër të paligjshëm, Edi Rama ka urdhëruar Drejtorinë e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK), që të vonojë dhe bllokojë pajisjen me çertifikatë sigurie të deputetëve të opozitës në Komision. Pa asnjë arsye ligjore, Drejtoria, nën varësinë direkte të Ramës, ka refuzuar zyrtarisht edhe pajisjen tonë me çertifikatë provizore sigurie, pavarësisht se kjo është një praktikë normale punë e DSIK-së dhe që jepet brenda ditës‎.

Pa çertifikatën e sigurisë, ne nuk mund të shohim dokumentat sekretë që kanë filluar të vijnë nga disa institucione. Pengimi i punës se Komisionit Hetimor është një veprim kriminal, për të cilin Drejtori i DSIK do të mbajë përgjegjesi! Askush nuk mund të pengojë veprimtarinë e Komisionit Hetimor, edhe kur urdhërohet nga Edi Rama apo mbrohet prej tij.

DSIK, nën varësinë e Edi Ramës, është iI njëjti institucion që ka pajisur me çertifikate sigurie brenda ditës Saimir Tahirin, i çertifikuar ndërkombëtarisht për trafik ndërkombëtar droge. Me shumë gjasë, Saimir Tahiri duhet ta ketë akoma të vlefshme çertifikatën e sigurisë dhe, po të ishte anëtar i komisionit, do të shihte dokumentet sekrete që provojnë se ai ka qenë në dijeni, ka ndihmuar, ka bashkëpunuar dhe ka përfituar nga trafiku i drogës, duke e shndërruar policinë në një organizatë kriminale.

DSIK, që po bën kamikazin politik për Edi Ramën kundër opozitës, ka pajisur më çertifkatë sigurie edhe drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit, që sot janë në kërkim ndërkombëtar për të njëjtën vepër ponale si Saimir Tahiri, trafik ndërkombëtar droge.

Partia Demokratike i bën thirrje Edi Ramës të heqë dorë ‎nga praktikat e paligjshme të bllokimit të punës së Komisionit Hetimor dhe cënimit të së drejtes kushtetuese të opozitës për kontroll parlamentar!

Edi Rama nuk e shpëton dot Saimir Tahirin! Siç thotë sot gazeta gjermane Die Welt, “Tahiri është një nga ato raste që prishin dhe përcaktojnë imazhin e Shqipërisë në pjesën tjetër të Europës.”

Forum biznesi mes Shqipërisë dhe Iranit

Gjatë forumit, u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit në disa sektorë si bujqësia, ndërtimi, prodhim i produkteve ushqimore, prodhimi i drurit, turizmi, si dhe u realizuan takime mes përfaqësuesve të bizneseve

TIRANË – Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, në bashkëpunim me Ambasadën e Iranit në Tiranë organizuan forumin e përbashkët të biznesit Shqipëri-Iran.

Gjatë forumit u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit në disa sektorë si bujqësia, ndërtimi, prodhim i produkteve ushqimore, prodhimi i drurit, turizmi, si dhe u realizuan takime mes përfaqësuesve të bizneseve

Kryetarja e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, Ines Muçostepa, në fjalën e saj tha se ka akoma shumë punë për të bërë për të intensifikuar marrëdhëniet ekonomike dypalëshe dhe shkëmbimet tregtare.

“Për të arritur këtë duhet të punojmë me axhenda të përbashkëta për të organizuar sipërmarrjet tona që të marrin pjesë në panaire, apo misione tregtare të cilat tashme mendoj që duhet të fillojnë të shpeshtohen. Institucionet e larta shtetërore janë duke ndërmarrë hapa drejt plotësimit të kuadrit ligjor për t’u dhënë shtysë shkëmbimeve ekonomike dhe tregtare. Është në proces negocimi marrëveshja për nxitjen dhe mbrojtjen e investimeve, si dhe marrëveshja për eliminimin e taksimit të dyfishtë. Të gjitha këto elementë mendoj që në momentin që do të aplikohen do të jenë një ndihmëse për sipërmarrjet tona”, tha ajo.

Muçostepa tha se Shqipëria është një vend tërheqës me shumë sektorë për investitorët e huaj.

“Stabiliteti makroekonomik, kuadri ligjor i favorshëm dhe reformat strukturale të ndërmarra kanë krijuar terrenin e përshtatshëm ku mund të investoni kapitalet tuaja. Tashmë Shqipëria është dhe porta hyrëse dhe orientuese, jo vetëm në një treg të vogël si ai shqiptar, por në gjithë Ballkanin”, deklaroi Muçostepa.

Ndërsa kryetari i Dhomës së Tregtisë, Industrisë dhe Bujqësisë së Iranit, Golamhossein Shafeei, tha se marrëdhëniet ndërmjet Iranit dhe Shqipërisë janë të hershme, të cilat sipas tij, pavarësisht ulje dhe ngritjeve gëzojnë një vend pozitiv në opinionin publik të të dy vendeve.

“Populli i Iranit ka pasur gjithmonë konsideratë për popullin shqiptar. Si vazhdim i historisë, besimit dhe kulturës, po bëjmë përpjekje për të forcuar gjithnjë e më tepër marrëdhëniet ekonomike, kulturore, shkencore, teknologjike, industriale, akademike dhe turistike me Shqipërinë”, u shpreh Shafeei.

Duke folur për bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve, Shafeei tha: “Irani është një nga prodhuesit e mëdhenj të naftës dhe gazit natyror dhe një vend i pasur me rezerva minerare. Investimi në fushën e shërbimeve dhe pajisjeve të instalimeve të naftës dhe gazit, shërbimeve dhe pajisjeve minerare, industrisë energjetike, industrisë së shfrytëzimit, është një rast i volitshëm për faktorët ekonomikë të Shqipërisë. Aktualisht zhvillimi i marrëdhënieve të Iranit me vendet e rajonit të Ballkanit, pra edhe me Shqipërinë, në fushat e transportit , peshkimit, bujqësisë, produkteve ushqimore, energjisë, naftës dhe gazit, minierave është në rendin e ditës së Dhomës së Tregtisë së Iranit”.

Sipas tij, Shqipëria mund të luajë për importet dhe eksportet e Iranit në Evropë të njëjtin rol që Irani mund të luajë si portë hyrjeje e Shqipërisë në vendet rreth detit Kaspik.

Gjatë forumit, u organizuan edhe takime B2B, të cilat u fokus kishin diskutimet për bashkëpunim në disa sektorë, ndërsa sipas organizatorëve ky aktivitet ishte një mundësi e mirë për sipërmarrjen e të dy vendeve, për të ndarë përvojat e tyre dhe për bashkëpunime të mundshme në të ardhmen. aa

Bamjet e Shqipërisë më të kërkuarat në treg, nis kultivimi në masë

Sipërfaqe të tëra toke po mbillen masivisht me bamje nga fermerë të ndryshëm në shumë zona të vendit. Perspektiva e favorshme për t’i eksportuar ato drejt tregjeve të huaja ka bërë që fermerët të rrisin sasinë e prodhimit të tyre. Padyshim, bamja qëndron në majë të piramidës ushqimore si një super zarzavat.

Mesi i muajit prill është koha më e përshtatshme për nisjen e kultivimit të kësaj perimeje fantastike në vlera ushqyese dhe shumë fermerë kanë zgjeruar dukshëm plantacionet e mbjella me bamje. Bamja kërkon klimë të ngrohtë ndaj dhe muaji prill konsiderohet se periudha më ideale për nisjen e kultivimit të saj.

Do të duhen vetëm dy muaj dhe më pas ajo është gati për të prodhuar dhe për t’u mbledhur.Sipas të dhënave të AgroWeb.org gjatë këtij muaji, fermerët kanë rritur sipërfaqet e mbjella me bamje në përpjekje për t’iu përgjigjur kërkesave në rritje për këtë perime.

Interesi i Tregjeve të Huaja në Rritje

Bamja qëndron në krye të listës së perimeve me interes nga grumbulluesit e tregjeve të huaj. Varietet shqiptare të bamjes janë shumë të kërkuara si nga tregu vendas ashtu edhe për eksport. Mund të përmendim bamjen e Oblikës e cila karakterizohet nga një trup i shkurtër me lartësi 40-50cm dhe 2-3 degëzime. Fruti përbëhet nga pesë brinjëzime me formë piramidale me gjatësi 8.5 cm dhe perimetër rreth 3.35cm. Po ashtu, nga të dhënat e AgroWeb.org rezulton se edhe kultivari vendas Libohova është një tjetër varietetet i kërkuar nga tregu. Është cilësia e tyre e mirë dhe përmbushja e standardeve të kërkuara nga Bashkimi Europian ajo që po i afron tregjet e huaja drejt eksportit të bamjeve por edhe prodhimeve shqiptare në përgjithësi.

Më të preferuarat e shqiptarëve

Bamja është ndër perimet e preferuara të shqiptarëve. Amvisat kujdesen t’i përdorin bamjet në receta të ndryshme duke përgatitur gjellë të shijshme, tava të mrekullueshme, turshi etj. Bamjet janë fantastike jo vetëm për shijen e tyre por mbi të gjitha për vlerat ushqyese që kanë. Përmban shumë fibra dietike dhe vepron si një laksativ natyral, duke ndihmuar në tretje. Bamja është e pasur me vitaminë A dhe antioksidues të tjerë. Bamja është e pasur me vitamin C, që ndihmon imunitetin e trupit. Është e pasur me minerale, duke përfshirë këtu hekurin, kalçiumin, magnezin. Përmban vitamin K, që është shumë e nevojshme për shëndetin e kockave, si dhe luan një rol të rëndësishëm në mpiksen e gjakut./AgroWeb/

Vërsulet Selami: Berisha autokrat, Basha rrëmbyes i partisë, PD-ja njësoj me PS-në

Ish-kreu i PD, Eduard Selami, dhe prof. asoc. dr. Belina Budini, dje në UET

Ish-deputeti i PD-së, Eduard Selami, e akuzon kreun e PD-së, Lulzim Basha, për rrëmbimin e partisë. Në një bisedë në forumet e UET-it me shefen e Departamentit të Komunikimit, prof. asoc. dr. Belina Budini, ish-deputeti demokrat e cilësoi Berishën një autokrat klasi, prej të cilit edhe u largua nga drejtimi i partisë.

Selami ka folur edhe për garën e brendshme në parti me Lulzim Bashën pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017, kur ka deklaruar se në vend që manipulatorët e zgjedhjeve të dënoheshin, ata u promovuan.

Keni tentuar disa herë të riktheheni pasi jeni larguar. Fillimisht në ’97, më pas në 2005. Ndërkohë, nga SHBA keni bërë vazhdimisht kritikë dhe kur u rikthyet në Parlament në 2013 e në vijim heshtët. Herë keni qenë rebel dhe herë keni heshtur…Ju kandiduat edhe për kryetar të PD-së dhe kjo është një tjetër përpjekje proaktive e juaja…

Nuk mund të jesh një person publik aktiv për 30 vjet. Kam qenë pedagog në Universitetin e Tiranës, ka qenë situatë jashtëzakonisht e vështirë të ishe mendjehapur atë kohë sepse Shqipëria mbeti në fund, e mbyllur brenda mbylljes. I vetmi model është Koreja e Veriut, që i përgjigjet sot. Pastaj filluam dalëngadalë të lëvizim, studentët ishin të parët. Kam qenë dhe unë pjesë e kësaj lëvizje, që dalëngadalë u krijua si forcë politike, aty filluan aksionet e mia politike si themelues i PD-së dhe Sekretar i Parë i Përgjithshëm i PD-së, ku kryetar i parë ishte Azemi, teknikisht dhe formalisht, pastaj u bë Saliu.

Në 5 vitet e para, Shqipëria ishte një histori e madhe suksesi dhe me standardet e Europës Lindore, gjërat filluan të lëvizin në ‘94 me referendumin që ne bëmë, ku Presidenti i kohës, pasi u zgjidh Sali Berisha nga kryetar partie, u largua sepse ishte një nen në Kushtetutë që nuk mund të jesh në pozicione të larta vendosi për të marrë më shumë seç duhet nga kompetencat e kësaj dhe këtu fillon ai akti im rebel, sepse aty e pashë që prirja dhe sirenat e pushtetit jo se nuk i kishte Sali Berisha, i kishte, por iu forcuan kaq shumë sa filloi të rrezikonte të gjithë varkën dhe në fakt e rrezikoi.

Kjo bëri dhe largimin tim, ishte prova ime e parë e forcës së karakterit se ajo që ti beson, është më e rëndësishme se ajo që ti ke aty. Jam i vetmi kryetar partie, që kam dalë dhe kam folur kur kam qenë kryetar partie dhe jo kur jam larguar. Pra, jam larguar duke dhënë një ide sepse po shikoja se PD dhe Shqipëria po rrëshqiste nga një histori suksesi e admirueshme dhe zoti Berisha nga Havel i Ballkanit, i projektuar dhe nga administrata amerikane, në një histori autokrate që kishte me dhjetëra. Nuk u shpëtua dot. Ajo solli në ’96 manipulimin e zgjedhjeve, pruri ’97 dhe rrëzoi Shqipërinë, duke e sjellë në pikën e parë të nisjes, edhe më keq akoma. Aty u nda pjesa ime politike. Kam qenë 29 vjeç kur e kam filluar këtë punë.

M’u duk sikur u shkëputa pak më shpejt nga dëshira ime e parë, ana akademike. Megjithëse isha i vetmi kryetar partie që jepja mësim në atë kohë. Nuk doja të bëhesha pjesë e kapitullit të dytë, që politika të konsiderohej si përfitim personal dhe jo si shërbim ndaj publikut dhe qytetarit. Kur ky kapitull u hap, kur kjo derë u hap, unë mendova jo të largohem, por të përpiqem t’i rrezikoj të gjitha. Kërkova Kushtetutën në Parlament, kërkova ngritjen e institucioneve, kërkova institucionalizimin e demokracisë, largimin e autoritarizmit ekstrem të zotit Berisha dhe në këtë betejë humba.

Me gjithë sukseset që ka pasur Shqipëria, nuk ka pasur modelin e një lideri bashkëkohor demokrat të vënies së interesit të publikut dhe të përgjithshëm përmbi egon dhe interesin e tij personal. Protagonizmi i gjatë në politikën shqiptare dhe emrat që janë kanë dëmtuar më shumë Shqipërinë.

Cili është raporti yt me PD në këtë moment pasi humbët përballë Bashës në garën për kryetar të PD?

Raportin tim me Partinë Demokratike nuk e shikoj në raportin e një anëtari të devotshëm, por e shikoj si një njeri me një ngarkesë historike kohore dhe me një kontribut që sapo dhashë për të qenë kryetar i saj dhe me një zhgënjim të thellë. Sepse edhe në atë rast, kur vërtet mundësitë ishin të vogla, por pas saj, të kapur me zë dhe figurë, një bisedë e bërë edhe me kryetarin, zotin Basha, duke vjedhur kutitë e votimit dhe nuk u fol asnjëherë. Këta persona sot mund të jenë të promovuar. Unë i thashë zotit Basha e di që mund të jenë edhe “fake”, por unë dua një sqarim për këtë. A kam unë të drejtë të kërkoj këtë gjë? Unë kam hyrë në një garë të shkurtër, të shpejtë, të jap një kontribut modest sepse, ja, nuk fitova. Unë nuk e kam bërë gjithçka për të fituar. Po të fitoja unë, fitimi i madh do të ishte i Partisë Demokratike. Gjithë ai kontribut që unë kam dhënë për PD-në dhe gjithë ai idealizëm që unë lë SHBA, të cilën e kam shumë përzemër, e cila nuk t’i jep këto oportunitete dhe vij këtu për të lënë diçka mbrapa. Kjo është një kënaqësi e rrallë. Është një fat i rrallë dhe nuk mund ta lë unë këtë. Ky është shqetësimi im.

A nuk është e gjithë hapësira, një shesh i madh ku diskutohet dhe analizohet Partia Demokratike dhe lidershipi i saj? Ku besoni ju se duhet ngritur zëri për PD?

Sheshi është i madh. Më kujtove ato sheshet ku luhet sport. Ai është me këpucë me çizme, unë jam zbathur. Ai vjedh…ka marrë ata, ka vjedhur. Unë dal dhe bëj idealistin dhe them që kjo është mënyra më e mire, hajde të diskutojmë. Atij ia kanë kapur dhe ai prapë nuk e dënon dhe ma promovon. Atëherë është zhgënjim. Ti je mbrapa kësaj gjëje. Ti nuk je lideri. Ti ke aftësi tejet të kufizuara politike. Ti je ai rrëmbyesi, që do ta mbash me çdo kusht. More një listë dhe e nxore nga xhepi siç i thashë unë, që është turp i tij. Listën nuk e dinte njeri kush do të jetë kandidat për deputet.

E nxori nga xhepi. Unë e mora vesh nga Amerika dhe prapë e mbështeta. Theu statute dhe të gjitha. Edhe Sali Berisha i bënte formalisht. Mos të pyesë njeri që unë e ngatërroj për demokrat Sali Berishën, është një autokrat klasi. Por kishte karizëm. Ky shkon edhe më tej. Ai të paktën ia kishte dhënë një kryesie përpara. E merrnin vesh të tjerët përpara, ky nuk ishte as origjinali. E mbylli këtë punë me turpin e vet. Po ja ku është rasti, ta merr një institucion i rëndësishëm europian, ta vendos zonjën Bregu aty ku e vuri, tani të gjithë pa vlerë ishin ata që u hoqën?

Po e heq veten time nga ky krahasim. Por po e lëmë rastin konkret, ku shkove? A humbe në mënyrën më spektakolare?! Çfarë i kërkuam? I thamë hajde të bëjmë një analizë. Jo tha, ta zgjedhim një herë, të mos shahemi dhe pastaj bëjmë analizë. Kanë kaluar 10 muaj, s’është mbledhur asnjë. Fatkeqësia është se kështu punojnë në demokraci. Ju duhet të punoni, t’i shikoni. Demokracia shqiptare ka mbetur në nivelin partiak. Kjo nuk është vetëm në Partinë Demokratike sepse ndodh në të gjitha partitë politike. “One man shoë”, varet se si kryetari zgjohet në mëngjes.

Nuk pyet as për strukturën dhe për askënd. Çfarë sjell kjo? Ngadalësim të strukturës dhe të suksesit të shqiptarëve. Sepse do të gabosh. Njerëz të mirë janë ata, por ai e di që po e ngrite ti zërin, ai të fshin nga faqja e dheut. Po çfarë klime u krijua? Është kjo klima e konkurrencës së shoqërisë të hapur? Unë e kam thënë edhe para tre vjetësh dhe i qëndroj asaj, që këtu kemi ngelur fatkeqësisht. Për mendimin tim, është krijuar një aleancë e re midis qytetarit të angazhuar, midis pedagogut të dedikuar, midis edhe një hidrauliku që punon me ndershmëri, pra, midis asaj pjese të shëndetshme të shoqërisë shqiptare, kjo edhe falë mbështetjes së ndërkombëtarëve. Por ky bashkim është vetëm një “by-pass”, nuk është autostrada.

Prandaj janë zgjedhur ata njerëz në Parlament, që të jenë promotorë të kësaj. Po ata çfarë bëjnë? Rrinë, zihen me njëri-tjetrin dhe e pengojnë. Këtë gjë po bëjnë edhe këta të mitë. I vetmi deputet që kanë atje, po tregojnë se ky është i mbytur nga droga. Jo, mo, jo, aty ishte droga. Edhe këta që kanë qenë përpara, po atë punë kanë bërë. Njësoj janë. Fatkeqësisht. Po t’i shikosh me sytë e kohës, duke notuar pa uniformë janë. Më e keqja për Shqipërinë është se ata janë bashkë për punët e këqija. Kundërshtari kryesor i tyre është Perëndimi. Rasti është Reforma në Drejtësi.

Për atë reformë, unë, me dëshirën time, e vura veten sërish në “stacion”. Ajo ishte ndihma që dha Perëndimi për atje ku duhet të shkojmë, sepse këta nuk e duan. Normalisht, pjesa dërrmuese e atyre që kemi lart dhe na drejtojnë duhet të jenë duke dhënë llogari në Gjykatë. Me shkelje serioze të ligjit. Me abuzime serioze të fondeve publike. Por e kanë prishur rregullin e lojës. Nuk ka pasur Gjykatë, sepse Gjykatë kanë qenë vetë. Por po vjen kjo ditë dhe do të vijë ajo ditë. Kështu kanë ecur shoqëritë. 241 vjet ka Amerika që filloi si shtet, si republikë.

Nuk është e përsosur, por ka këtë themel. Lanë punët e tyre Xhorxh Uashington, Xhon Adams, Tomas Xheferson etj. Ishin njerëz që lanë punët e tyre, dëmtuan veten financiarisht. Kush ka lënë punën nga këta tanët? Këta kanë ardhur pa asnjë lekë dhe janë bërë milionerë. Unë punoj ditë-natë në SHBA nga 16 orë dhe nuk u afrohem fare atyre. Dhe nuk japin llogari. Ne duhet t’i bëjmë ata që të punojnë për ne, të punojnë për Shqipërinë.

Intervista – Bushati: Javën tjetër negociatat për marrëveshjen e detit me Greqinë

Këto ditë ndodhet në Nju Jork për të marrë pjesë në takimin e nivelit të lartë të OKB-së mbi paqen e qëndrueshme ministri i jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati. Me zotin Bushati po lidheni drejtpërdrejt nga Nju Jorku.

 

Zëri i Amerikës: Zoti Bushati! Rekomandimi për hapjen e negociatave për antarësim në Bashkimin Europian duhet tanimë të miratohet nga vendet anëtare, mes të cilave dy nga vendet më me peshë, si Franca dhe Gjermania, duket se janë të pavendosura. Ku qëndrojnë dilemat e tyre në raport me Shqipërinë?

Ditmir Bushati: Franca dhe Gjermania janë vende që përgjithësisht e thonë të fundit fjalën e tyre për shkak të peshës specifike, që kanë në vendim-marrjen e Bashkimit Europian. Ne jemi në një komunikim të vazhdueshëm me të gjitha vendet anëtare, e natyrisht edhe me Gjermaninë dhe me Francën. Besojmë se vizita e nesërme e kryeministrit Rama në Gjermani dhe takimet e tij me kancelaren Merkel dhe me kreun e Bundestagut, me fraksionet kryesore politike në Bundestag dhe me përfaqësues të medias dhe shoqërisë civile dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit do të jenë një shtysë në këtë drejtim.

Gjatë këtyre dy muajve do të vijojmë kontaktet dhe komunikimin lidhur me procesin e reformave, sidomos me reformave në fushën e së drejtës në ekonomi edhe me Francën dhe me vende të tjera, të cilat kërkojnë më shumë informacion dhe kërkojnë ta shfrytëzojnë kohën e mbetur në mënyrë sa më efektive që në fund të kemi një vendim-marrje, e cila do të ishte e kënaqshme për të gjitha palët.

Zëri i Amerikës: Zoti Bushati, nëse siç ka deklaruar edhe kryeministri Rama që këto dilema lidhen me zhvillimet e brendshme politike të disa vendeve europiane, a nuk e vështirëson kjo lobimin që synoni të bëni ju në këto vende?

Ditmir Bushati: Fakti që për herë të parë nga Samiti i Selanikut në 2003, pra rreth 15 vite më pas, ne kemi një takim të nivelit të lartë në muajin maj në Sofie dhe një konfirmim të perspektivës europiane për vendet e Ballkanit perëndimor flet qartë për klimën e zgjerimit brenda Bashkimit Europian, e cila nuk është më e mira e mundshme.

Nga ana tjëtër duhet të mbajmë në konsideratë atë çka ka deklaruar përfaqësuesja e lartë e politikës së jashtme të BE-së Mogherini apo presidenti Tusk sot në Tiranë se këtu bëhet fjalë jo thjesht për procesin e zgjerimit, por bëhet fjalë mbi të gjitha për konsolidimin e projektit europian, sepse është e pamundur që në shekullin 21 të jetë më e vështirë për të udhëtura nga Sarajeva në Tiranë se sa nga Tirana në Pekin.

Zëri i Amerikës: Raporti i Departamentit të Shtetit për të Drejtat e Njeriut i vitit 2017 ishte mjaft kritik për Shqipërinë, për korrupsionin, ku thuhet se kjo dukuri ishte e përhapur në të gjithë degët e qeverisjes, për korrupsionin në fushën e drejtësisë, për kufizimet në lirinë e shprehjes dhe të shtypit, e shkaktuar nga interesat financiare dhe politike. Ju si do ta komentonit këtë raport?

Ditmir Bushati: Krahas progresit të qenësishëm që ka bërë Shqipëria në fushën e sundimit të së drejtës, reforma në drejtësi, lufta kundër korrupsionit, promovimi i lirive dhe të drejtave të njeriut, ka edhe mangësi, ka edhe sfida përpara. Nuk bëj pjesë në atë grup të politikanëve që do të dëshironin ta lexonin raportin me syze të ndryshme. Raporti i Komisionit Europian i publikuar para pak ditësh për këto fusha vlerëson progresin që ka bërë Shqipëria edhe krahasur më vende të tjera të rajonit. Korrupsini është një sfidë jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjitha vendet e rajonit. Përgjigja më e mirë për të luftuar korrupsionin është reforma në drejtësi, është reformimi i institucioneve dhe dhënia e shembujve konkretë përmes kulturës së ndëshkimit.

Zëri i Amerikës: A pritet të ndikojë ky raport i Departamentit Amerikan të Shtetit tek votimi, që do të mbahet tek Parlamenti Europian?

Ditmir Bushati: Besoj se vendet anëtare të Bashkimit Europian, krahas raportit që ka përgatitur Komisioni Europian, punojnë edhe në vendet tona, përfshirë edhe Shqipërinë përmes ekspertizave dhe misioneve të ndryshme, që ato kanë. Nga ana tjetër, me duhet të theksoj dhe të pranoj që raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit është nga raportet që lexohet me seriozitetin maksimal dhe me laps në dorë nga ana jonë për të gjithë gamën e çështjeve që rrok.

Zëri i Amerikës: Shqipërisë iu besua drejtimi i Organizatës së Bashkëpunimit Rajonal RCC. Kam parasysh zgjedhjen e zonjës bregu në këtë post. Krahas kësaj, Kosova u votua për të drejtuar procesin e bashkëpunimit mes vendeve të Europës juglindore. Si i shikoni ju këto zhvillime në rajon?

Ditmir Bushati: Më krijohet mundësia përmes Zërit të Amerikës të përgëzoj zonjën Bregu për këtë zgjedhje dhe në të njëjtën kohë të gjithë ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të kësaj nisme, me të cilët kemi punuar fort gjatë gjithë kësaj periudhe për të arritur tek ky rezultat, i cili është para së jithash është për Shqipërinë. Për herë të parë Shqipërisë i besohet drejtimi i një prej nismave më të rëndësishme, një prej platformave më të rëndësishme në rajon. Mendoj që pas sigurimit të dy selive në Tiranë, Fondit të Ballkanit Perëndimor dhe Zyrës Rajonale për Bashkëpunimin në fushën e Rinisë, marrja e këtij pozicioni nga ana e Shqipërisë dhe nga ana e zonjës Bregu (duhet të mësohemi që të shkojmë përtej emrave të përveçëm), është një lajm shumë i mirë për politikën e jashtme në Shqipëri, është një lajm shumë i mirë për Shqipërinë dhe gjithë shqiptarët.

Po kaq i mirë është edhe lajmi se Kosova do të ketë mundësinë, pas Bosnjes, pas pak muajsh, të marrë drejtimin e SEECP-it. Kur kujtoj përpjeket tona para 4 apo 5 viteve për të pranuar Kosovën në këtë nismë së bashku me partnerë të Shqipërisë, Kosovës dhe rajonit tonë, mendoj se janë bërë hapa të sigurtë përpara në këtë drejtim. Besoj se Kosova do të ketë mundësinë që nëpërmjet drejtimit të kësaj nisme të dëshmojë seriotet, përgjegjshmëri dhe konstruktivitet.

Zëri i Amerikës: Si është aktualisht ecuria e bisedimeve ne Greqinë? Duke lënë mënjanë çështjen e detit, ku nuk është ecur sipas parashikimit. Ju keni pranuar se ka disa vonesa, dhe se nënshkrimi i partneritetit strategjik është shtyrë për diku nga vera.

Ditmir Bushati: Ka patur vonesa për shkak të siuatës së brendshme dhe për shkak të nevojës për një rakordim më të mirë nga ana jonë. Javën tjetër do të jetë raundi i negociatave në nivel të ekspertëve shqiptarë dhe grekë sa i përket marrëveshjes apo tekstit për një marrëveshje për kufizimin e zonave detare. Ndërkohë, puna po vazhdon në të gjitha frontet e tjera. Mendoj se i gjithë procesi i bisedimeve për të gjithë temat që janë në bisedime me Greqinë është futur në hullitë e normalitetit dhe besoj se do të kemi mundësinë që të ecim përpara në adresimin e këtyre temave.

Zëri i Amerikës: Duke qenë se bëhet fjalë për nj çëshjt me ndjeshmëri të lartë, si do të garantoni ju transparencën e këtij procesi?

Ditmir Bushati: Do të vazhdojmë të komunikojmë me opinionin publik pas çdo raundi bisedimesh, pikat ku ka dakordësi dhe qartësi. Nga ana tjëtër, siç dihet në çdo proces negociimi apo diskutimi, jo çdo gjë që ka të bëjë me taktikat dhe opsionet e diskutimit, me skicimin e rrugëzgjidhjeve të ndryshme mund t’i komunikohen opinionit publik. Kjo është një çështje shumë delikate. E kemi thënë në mënyrë shumë të shkoqur se është e rëndësishme për ne që të kemi një marrëveshje sa më të drejtë e sa më të mirë, sa më të zbatueshme për të dyja palët. Shqiptarët dhe grekët janë dy prej popujve më të vjetër të Europës juglindore dhe ka shumë gjëra që na shkojnë me njëri tjetrin më shumë se ç’mund të na ndajnë.

Zëri i Amerikës: Ju keni thënë se çështja çame është pjesë e strategjisë së qeverisë shqiptare në marrëdhëniet me greqinë, ndërkohë që pala greke historikisht nuk e ka pranuar atë. Desha të di mendimin tuaj?

Ditmir Bushati: Kjo është një çështje që është përfshirë në programin politik të qeverisë shqiptare qysh prej vitit 2013, si pasojë edhe e një rezolute të miratuar nga parlamenti shqiptar me unanimitet sa i përket kësaj çështje. Mënyra se si konceptohet çështja çame është e ndryshme. Kryeministri Rama e ka thënë disa herë edhe për mediat greke, unë kam patur rastin për ta detajuar konceptin tonë për këtë çështjë si një çështje ekskluzivisht e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, që nuk ka të bëjë assesi me pretendime territoriale në shekullin e 21, por është nj ë çështje që ka të bëjë me garantimin e lirisë së lëvizjes, është një çështje që ka të bëjë me respektimin e rregullave të Shengenit, është një çështje që ka bëjë me përgjegjësi individuale dhe jo më ndëshkime kolektive, është një çështje që ka të bëjë me garantimin e të drejtave pronësore në shekullin e 21, aq më tepër që Shqipëria dhe Greqia janë vende anëtare të Këshillit të Europës dhe janë të detyruara të zbatojnë jurisprudencën dhe parimet krysore në fushën e të drejtës së pronës dhe lëvizjes, që burojnë nga Konventa Europiane e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut dhe nga Gjykata e Strasburgut. Kjo është një çështje gjithashtu që ka të bëjë me të drejtën e kujtesës për çka ka ndodhur. E kemi thënë disa herë; ne jemi politkanë të zgjedhur nga populli, nuk jemi historinë për të rishkruar historinë, nuk dëshirojmë që të mbetemi peng i historisë, por kemi gjithë përgjegjësinë për të skicuar rrugëzgjidhjet e duhura, që synojnë të zbutin sa më shumë plagët e të kaluarës dhe të ofrojmë një perspektivë të qartë edhe për këtë çështje mbi bazën e këtyre elementëve, që sapo shtjellova.

Zëri i Amerikës: Zoti Bushati, faleminderit për intervistën!

Ditmir Bushati: Faleminderit juve, që më dhatë mundësinë!

BE, Tusk: Shqipëria meriton hapjen e bisedimeve

Presidenti i Këshillit Europian Donald Tusk tha sot në Tiranë se Shqipëria e meriton hapjen e bisedimeve për anëtarësim dhe se ajo çfarë ka arritur është mëse e mjaftueshme për këtë. Zoti Tusk megjithatë paralajmëroi se sfida e radhës është që të binden të gjitha vendet anëtare. Presidenti i Këshillit Europian nisi sot një tur në vendet e Balkanit në kuadër dhe të përgatitjeve të takimit të nivelit të Lartë të Sofjes më 17 maj mes udhëheqësve europianë dhe atyre të Ballkanit.

​Rekomandimi nga ana e Komisionit europian javën e shkuar për hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë, tregon sipas Presidentit të Këshillit Europian Donald Tusk se vendi “ka bërë përpjekje të mëdha e se po bëhet gati të nisë” atë që ai e cilësoi “një prej projektet më pozitive politike në historinë e vet”.

Presidenti Tusk ishte i drejtpërdrejtë në vlerësimin e tij për këtë proces kur tha gjatë deklaratës me kryeministrin shqiptar Edi Rama se “ajo çka keni bërë dhe dua të jem shumë i qartë, është e mjaftueshme për të çelur bisedimet për anëtarësim, nuk ka asnjë dyshim. Nuk është vetëm thelbi i rekomandimit të Komisionit Europian, por është dhe opinioni im dhe nuk jam i vetëm në këtë dhe kjo është ajo çka besoj thellësisht”.

Megjithatë presidenti i Këshillit bëri gjithashtu të qartë se “një tjetër sfidë do të jetë që të binden të gjithë shtete anëtare të BE-së në qershor, për të nisur negociatat. Jam i vetëdijshëm që ky proces do t’i ngjajë më shumë një gare me pengesa sesa një autostradë, por nuk kam dyshim se integrimi i plotë mbetet fati ynë i përbashkët”.

Edhe për autoritetet shqiptare është e qartë se fjala e fundit nuk është thënë ende.”Të gjithë shqiptarët presin me padurim të vazhdojnë në këtë rrugë dhe të kemi sa më parë të jetë e mundur, mbështetjen e plotë të të gjithë vendeve anëtare për këtë rekomandim”, u shpreh kryeministri Edi Rama.

Kryeministri Rama do të shkojë në Berlin ku pritet të takohet me kancelaren Angela Merkel. Gjermania duket se është se bashku me Francën mes vendeve të pavendosura. Vendimi i Berlinit, për Shqipërinë, në ndryshim nga vende të tjera, do të duhet të kalojë përmes parlamentit gjerman.

Në ndërkohë, do të organizohet dhe takimi i nivelit të lartë mes Bashkimit europian dhe Ballkanit perëndimor, më 17 maj në Sofje të Bullgarisë, dhe vizita në Ballkan e zotit Tusk lidhet dhe me përgatitjet për këtë takim i cili sic tha ai “duhet të rikonfirmojë perspektivën europiane të rajonit e duhet të përcaktojë mënyrat dhe mjetet për të përmirësuar lidhjet me dhe brenda rajonit”, sepse sic theksoi Presidenti i Këshillit Europian “për ta nxitur bashkëpunimin nuk është e nevojshme të pritet deri në zgjerimin e BE-së”.

PS-ja vazhdon sulmet kundër deputetit gjerman Gunther Krichbaum (DOKUMENT)

Disa ditë më parë Lulzim Basha dhe Edi Rama u përplasën ashpër përmes rrjetit social mbi emrin e zyrtarit të Parlamentit gjerman Gunther Krichbaum, pasi kryedemokrati akuzoi kryeministrin se përmes medias pranë tij kishte orkestruar sulme ndaj kryetarit të komisionit për çështjet e BE-së në Budestag.

Por deklaratës së Bashës, Rama iu përgjigj me një “roman” të gjatë, ku ndër të tjera shkruante:

“Unë nuk jam aspak dakord me opinionin e tij për punën e qeverisë sime dhe këtë ai e di shumë mirë, sepse e ka dëgjuar nga unë, sy më sy dhe jo mbrapa krahëve. Por, zotëria në fjalë ka të gjithë respektin tim për ndihmën që dha kur zotrote bllokoje Reformën në Drejtësi dhe kurrën e kurrës, jo ai po asnjë i huaj i interesuar për Shqipërinë, nuk ka qenë e s’mund të jetë shënjestra e ndonjë sulmi të orkestruar prej meje apo prej Partisë Socialiste. Kurrë!”

Por duket se “Kurrë” e Edi Ramës nuk është e saktë, pasi këtë të martë sulmi mbi Krichbaum nuk ka ndalur. Kësaj here ka qenë një deputet i PS-së, Erjon Braçe, ai i cili nuk është kursyer ndaj deklaratës së Krichbaum ditën e djeshme, se Shqipëria ende nuk është gati për hapjen e negociatave.

INTERVISTA – Liri Belishova kur fliste pas 70-vjetorit: E vërteta për Enverin dhe lista për të vrarë rivalët

Ka qenë vetëm 16 vjeçe kur e kanë pranuar anëtare të Komitetit Qarkor të Rinisë Komuniste të Tiranës, pra edhe të Rinisë Antifashiste. Ndërsa një vit më pas iu besua drejtimi i të gjithë rinisë së kryeqytetit. Në moshën 18-vjeçare u bë anëtare e Komitetit Qendror të Rinisë Komuniste të Shqipërisë dhe pak më pas u gjend në Komitetin Qendror të Partisë Komuniste. Kjo është Liri Belishova, që adoleshente në luftë humbi syrin, ndërsa pas lufte humbi titujt që mori, humbi vajzën Drita, por edhe dy bashkëshortë, Nako Spirun e Maqo Çomon. Humbi 31 vite jetë në internim dhe plot miq të saj. E arsimuar edhe në Bashkimin Sovjetik, nga njëra prej eksponentëve kryesore të LANÇ-it, anëtare e Byrosë Politike dhe e Komitetit Qendror të PPSH-së, ajo u përjashtua në vitin 1960 si “armike e Partisë”, duke e internuar fillimisht në Gjirokastër dhe më pas në Cërrik e Mallakastër, deri në vitin 1991.

 

Për të gjitha këto, Liri Belishova ka folur për

“Panorama”

në disa numra radhazi në vitin 2015… Ajo përfshihet në debatet për 70-vjetorin e çlirimit, duke treguar të vërtetat për çka parë dhe çfarë di: Çfarë duhet vlerësuar e kritikuar te LANÇ? Cili ishte roli i jugosllavëve për zgjedhjen e Enver Hoxhës në krye të PKSH-së? Si tentoi Enver Hoxha të bashkonte Shqipërinë me Jugosllavinë dhe më pas u mbrojt duke thënë se ishte “thjesht provokim si do reagonte Tito”? Komisar Politik i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare e më pas Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare…, si e la Enver Hoxha pa drejtim luftën në dy dimra? Cili protagonist nga LANÇ do të kishte “perfekt” për në krye të PKSH-së apo në krye të luftës, në vend të Hoxhës? A u çlirua Shqipëria me forcat e veta siç pretendohet shpesh, pa ndihmën e asnjë formacioni ushtarak të forcave të Aleancës Antifashiste? Pse fitorja aq e madhe e LANÇ degjeneroi më pas në diktaturë? Në luftën kundër pushtuesit kanë qenë edhe forca të tjera politike jokomuniste, si Balli Kombëtar, Legaliteti etj., pse fitoi komunizmi dhe humbën këto forca politike? Pse u prish Marrëveshja e Mukjes, letrat e Enverit për t’i propaganduar si “bashkëpunëtorë të okupatorit” dhe për t’i ekzekutuar pas shpine, pa gjyq? Si u vranë vëllezërit e Musine Kokalarit në ditën e çlirimit me urdhër të Enver Hoxhës dhe hedhja e valles rreth tyre? Eliminimet e kundërshtarëve politikë të Enver Hoxhës ndër dekada, çfarë di Liri Belishova për to? A ndihet edhe vetë ajo përgjegjëse për ekzekutimet nga paslufta e deri më 1960-n, para se të shkarkohej nga funksionet politike dhe të internohej për 31 vjet? Përtej atyre që janë thënë, cili ishte “faji i vërtetë” i Liri Belishovës, që nuk e gëlltiti dot Enver Hoxha apo dikush tjetër? Cilat kanë qenë marrëdhëniet e saj me gratë e LANÇ-it, që më pas u bënë bashkëshorte në Bllok? Pse mendon se Nako Spiro, Mehmet Shehu etj. nuk kanë vrarë veten dhe për ta bën përgjegjës direkt Enver Hoxhën? Si ndihet Liri Belishova kur në aktivitetet e ndryshme për çlirimin e Tiranës apo të Shqipërisë ngrihet portreti i Enver Hoxhës?… Këto janë vetëm disa nga pyetjet që 89-vjeçarja u jep përgjigje nëpërmjet gazetës “Panorama”, një intervistë që ka filluar të merret që në fund të nëntorit 2014, pak nga pak, për disa javë me radhë, për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, por me një kujtesë që të mahnit në personazhe dhe data. Shpesh biseda ndërpritej sa nga sëmundja, sa nga emocionet e të rrëfyerit, sidomos kur në kujtime i shfaqej Drita, vajza që i ndërroi jetë para kohe në moshën 23- vjeçare, për të cilën përsëriste vazhdimisht: “Nuk pa kurrë një ditë të bardhë”. Një peng që nuk ka fjalë ngushëlluese që ia heq sot Liri Belishovës…

Cilat do të përmendnit shkurtimisht si suksese dhe dështime të LANÇ-it?

LANÇ-i i rinisë dhe popullit shqiptar kundër okupatorëve italianë ka filluar në të vërtetë që në ditët e para të prillit 1939, kur rinia e shkollave të mesme demonstroi duke dënuar jo vetëm këtë agresion, por duke kërkuar edhe armë për të luftuar, për të mbrojtur pavarësinë dhe lirinë e atdheut. Por Mbreti i Shqipërisë dhe qeveritarët shqiptarë nuk arritën të organizojnë një rezistencë, të organizojnë popullin, rininë në këtë luftë. Patjetër që Shqipëria e vogël nuk mund t’i bënte ballë agresionit të një fuqie të madhe dhe shumë të armatosur, siç ishte atëherë Italia fashiste. Rezistenca duhej për shumë arsye, që kuptohen, por edhe sepse ky agresion u shoqërua me një propagandë shumë të madhe, shurdhuese e demagogjike nga ana e Musolinit, e partisë dhe e shtetit të tij, duke e justifikuar këtë agresion, sikur gjoja populli shqiptar kërkonte ndihmë nga Italia për ta shpëtuar nga sundimi i një mbreti tiran. Që këtë të vërtetë ata nuk e bënë. Mbreti dhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë ikën, ata që mbetën një pjesë e pranuan këtë okupacion, madje ishin në delegacionin që shpuri kurorën e Shqipërisë Mbretit Viktor Emanueli III i Italisë. Sepse pushtimi i Shqipërisë nga propaganda fashiste u justifikua si bashkim i dy mbretërive nën një kurorë; nën kurorën mbretërore të Emanuelit III.

Pra, Italia nuk e quajti pushtim atë të Shqipërisë…

Sigurisht, italianët nuk e quanin pushtim. Dhe ata që bashkëpunuan me italianët nuk e quajtën pushtim, por bashkim të Italisë me Shqipërinë, nën të njëjtën kurorë. Atëherë këtë pushtim të Shqipërisë nga Italia në të vërtetë nuk e kundërshtuan, madje mund të themi e aprovuan, të gjitha fuqitë e mëdha të Europës. Edhe Britania e Madhe, edhe Franca, që ishin fuqi demokratike dhe antifashiste. Sepse ishte një politikë e lëshimeve ndaj agresorëve fashistë e nazistë, mendonin se duke u dhënë këto copa, siç qe Abisinia, siç qe krahina e Sudetëve dhe pastaj dhe vetë Çekosllovakia, Spanja, Shqipëria, do të mund ta ulnin oreksin agresiv të Gjermanisë hitleriane dhe të Italisë fashiste. Ishte patjetër një politikë jo e drejtë dhe dritëshkurtër, që çoi në fillimin e Luftës së Dytë Botërore dhe në angazhimin e Britanisë së Madhe, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës pastaj, që hynin në aleancë me ish-Bashkimin Sovjetik, i cili kishte një traktat të fshehtë me Gjermaninë naziste, i deklaruar si një traktat mossulmimi, por në fakt ishte një traktat që garantonte kufirin lindor të Gjermanisë, i jepte asaj mundësinë që të sulmonte Francën dhe vendet e tjera pa qenë e rrezikuar. Atëherë këto gjëra nuk diheshin, këto dokumente janë zbuluar më vonë, traktati i famshëm Mollotov-Ribentrop, d.m.th. traktati mes Stalinit e Hitlerit “de facto”, por i firmosur nga ministrat e tyre të Jashtëm.

Çfarë duhet vlerësuar dhe kritikuar te LANÇ?

LANÇ e popullit shqiptar, siç thashë, ka filluar që në ditët e para të prillit 1939, kur rinia studentore shpërtheu në demonstrata, ku jo vetëm dënohej agresioni, por kërkoheshin dhe armë për t’i dalë zot atdheut, për ta mbrojtur atdheun. Kjo i bëri një përshtypje të jashtëzakonshme patriotit dhe intelektualit të shquar, Mirash Ivanaj, që ka qenë dhe ministër i Arsimit në Mbretërinë Shqiptare. Ai është shprehur me fjalët më emocionuese, pikërisht për këtë reagim të rinisë shqiptare. Por, duke mos pasur një parti politike që ta udhëhiqte këtë rezistencë, këtë luftë, pati një mpakje, pasoi një periudhë relativisht e qetë dhe vetëm pas krijimit të PKSH u krijua mundësia që kjo rezistencë të ketë një qendër organizuese. PKSH u themelua më 8 nëntor 1941, pra pasi ishte sulmuar Bashkimi Sovjetik, atdheu socialist. Grupet komuniste që ishin baza e formimit të Partisë Komuniste, kur Italia fashiste sulmoi dhe okupoi Shqipërinë, nuk mbajtën të gjitha një qëndrim të qartë. Disa u shprehën dhe dënuan këtë agresion, pati brenda këtyre grupeve komuniste edhe rryma që mbajtën një qëndrim shumë të dënueshëm, duke thënë që okupacioni fashist do të krijojë mundësi për industrializimin e Shqipërisë, pra për lindjen dhe zhvillimin e proletariatit dhe kështu do të favorizohej dhe zhvillimi i lëvizjes komuniste.

Cilat ishin këto rryma brenda grupeve komuniste që mbajtën këtë lloj qëndrimi?

Këto ishin ish-grupet komuniste, siç thashë. Nuk më kujtohet se cili grup shfaqi të tilla mendime, por kur është krijuar PKSH, një nga kritikat që është bërë dhe që u shtrua edhe te komunistët e tjerë, ka qenë pikërisht kjo kritikë. Pra për ata që nuk mbajtën një qëndrim të duhur kundër okupacionit fashist. Në fakt, është rasti të theksoj, që pasi Stalini dhe Hitleri firmuan traktatin e famshëm të vitit ’40 për të cilin folëm më lart, partitë komuniste të botës e ndërprenë demaskimin dhe luftën kundër fashizmit, megjithëse Kongresi VII i Kominternit në vitin 1935 e kishte bërë demaskimin e fashizmit si problemin qendror për partitë komuniste. I ngarkonte këto parti që ta shfrytëzonin luftën kundër fashizmit, kundër nazizmit për t’u lidhur me masat, sepse fashizmi rrezikonte të gjitha shtresat e popullatës të Europës dhe kundër tij ishin ngritur në radhë të parë intelektualët më të shquar të Europës. Ata e shikonin këtë si një mundësi që partitë komuniste të fitonin përkrahjen e popullit të vet, për qëllimin e tyre, që të merrnin pushtetin, që të vendosnin diktaturat e proletariatit.

Po thoni që në ’41-n, kur është themeluar PKSH-ja, i bie që Shqipëria ishte e vetme, pasi komunistët e shteteve të tjera lanë luftën kundër pushtimit fashist?

Por atëherë ishte sulmuar Bashkimi Sovjetik. Të gjitha partitë morën nga Internacionalja komuniste që ekzistonte akoma (u shpërbë në 1943), detyra e tyre kryesore ishte që të mbronin atdheun socialist, të luftonin nazizmin. Pra ishte tjetër situatë. Partia Komuniste nuk u formua pas ’39-s, grupet komuniste nuk u alarmuan aq shumë sa të formonin një parti, por kur u sulmua Bashkimi Sovjetik, atëherë u alarmuan dhe u bashkuan brenda pak muajsh dhe formuan Partinë Komuniste.

Liri Belishova
Liri Belishova

Si e shpjegoni këtë?

Komentet janë të tepërta për disa gjëra, flasin vetë faktet. Domethënë, ata komunistë në radhë të parë vinin atdheun socialist dhe në radhë të dytë atdheun, që ishte atdheu i vërtetë.

Çfarë roli ka pasur PKSH-ja gjatë luftës, a pati kjo parti një bosht identik të sajin apo ishte vetëm një kopje e Partisë Komuniste Jugosllave?

Rezistenca antifashiste nisi që në ditët e para të vitit 1939, por u meh, sepse nuk kishte një forcë drejtuese dhe organizuese. Pas themelimit të PKSH, ajo mori përsipër rolin që të organizonte këtë luftë dhe në rezolutën e themelimit të partisë thuhet shprehimisht se kjo luftë do ta ndihmojë partinë të lidhet me masat. Partia duhet të sigurojë me çdo kusht hegjemoninë e saj në këtë luftë. E në përfundim të kësaj lufte, konkluzioni logjik ishte se partia do të fitonte mundësinë të merrte pushtetin.

Dhe a pati PKSH-ja një bosht identik të sajin… Fatkeqësia e popullit shqiptar ka qenë e dyfishtë.

Jo vetëm u themelua kjo Parti Komuniste që në të vërtetë në Shqipëri nuk kishte një bazë sociale, se Shqipëria nuk ishte një vend i industrializuar, nuk kishte proletariat, nuk kishte një të kaluar me sindikata, me lëvizje punëtore etj. Por, fatkeqësia ishte se kjo Parti Komuniste që në themelimin e saj u lidh me Partinë Komuniste Jugosllave, veproi nën udhëheqjen e saj, duke kopjuar të gjitha format e organizimit dhe të politikës. Kjo parti Komuniste Jugosllave përfaqësohej në Shqipëri me anë të dy emisarëve të saj, Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha.

A keni pasur rastin që t’i njihni personalisht këta dy emisarë, Popoviçin dhe Mugoshën?

Mugoshën nuk e kam takuar asnjëherë. Miladin Popoviçin për herë të parë e kam takuar në Helmës, ku u zhvillua Kongresi i Parë i Rinisë. Para se të fillonte Kongresi, unë kam shkuar atje si delegate e Tiranës, si kryetare e delegacionit të rinisë së Tiranës. Nga fusha e Lirzës, ku u bë Kongresi, kam zbritur në Helmës, ku kishte qendrën Shtabi i Përgjithshëm. Atje, për herë të parë kam parë Miladin Popoviçin. E kam pyetur Nakon: Kush është ky burri i gjatë? (Ishte më i gjatë nga Enver Hoxha). Ai m’u përgjigj: Miladin Popoviçi. Unë bërtita: Uaaaaa, pse e vërtetë qenka?!

Pse reaguat në këtë mënyrë, çfarë a ishte e vërtetë?

Sepse deri atëherë nuk besoja që pranë Partisë Komuniste, në udhëheqjen e saj, ishte Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha. Mendoja se këto ishin propaganda të armiqve të Partisë Komuniste Shqiptare.

Pra, në PKSH ishin kundër këtyre emisarëve…

Nuk e dija që ishte një Miladin Popoviç që e thërritnin Ali Gostivari, ky ishte pseudonimi i tij. Ndërsa Dushan Mugoshën e thërrisnin Sala…

Çfarë përshtypjeje ju la Popoviçi?

Popoviçi as që bisedoi me mua. Unë me Popoviçin jam takuar në Bari të Italisë, në shtator 1944, ose në fund të gushtit, kur kisha shkuar për të operuar syrin. Ai ishte në Bari për një mbledhje të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Jugosllave, se e bënin në Itali, sepse në Jugosllavi ishin akoma okupatorët dhe zhvillohej luftë. Miladini atëherë kishte ardhur nga Shqipëria dhe nuk do të kthehej më në Shqipëri. Atëherë kam biseduar disa herë me Miladinin.

Dhe… përshtypjet për të?

Isha shumë e re atëherë. Nga mënyra se si ai fliste për rininë shqiptare kur më prezantoi me një përfaqësues të rinisë jugosllave; e pastaj për mënyrën si fliste për luftën e të rejave dhe grave të Shqipërisë kur më prezantoi me një delegacion të grave jugosllave që do të vinin në Shqipëri për të asistuar në Kongresin e Parë të Bashkimit Antifashist të Grave të Shqipërisë, dilte se ai ishte shumë entuziast për luftën e rinisë, të grave, të popullit shqiptar. Unë formova mendimin se ky, me këtë rast do që të evidentojë, të lançojë edhe rolin e tij, që ja ç’kam mundur të bëj unë. Në fakt, Popoviçi ishte “de facto” kryetari i Partisë Komuniste Shqiptare.

Vërtet ishte “de facto”?

Po, ishte. Këtë e ka thënë dhe vetë Enver Hoxha, në mbledhjen e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare.

Keni qenë prezente kur e ka thënë këtë?

Jo, nuk kam qenë atje, por është procesverbali: “Për mua Miladini ishte mësuesi. Unë isha nxënësi i tij. Ato që thoshte Miladini, për mua ishin të padiskutueshme”.

A bëri mirë Enveri që mori jugosllavët për të krijuar PKSH-në?

Nuk i mori Enveri jugosllavët. Enveri atëherë ishte vetëm një simpatizant i grupit të Korçës. Nuk ishte as anëtar. Ndërsa këto tri grupet komuniste, ai i Korçës, i Shkodrës dhe grupi i të rinjve që bazën më të madhe e kishte në Vlorë, kishin militantët e tyre. Por këta militantë u eliminuan nga Enveri dhe Miladini. U eliminuan jo vetëm politikisht, por edhe fizikisht. Miladini preferoi Enverin, në radhë të parë sepse pa te Enveri një njeri që nuk e kundërshtonte. Një njeri që i bindej plotësisht. Dhe mendoj që nuk gaboi. Miladini ka llogaritur se Enveri do t’i bindej, se ishte Miladini që e ngriti dhe që do ta ngrinte, derisa e bëri edhe sekretar të Përgjithshëm të Partisë. Është një gjë interesante që ka shkruar Kristo Frashëri, i cili nuk e ka lexuar procesverbalin e mbledhjes së themelimit të Partisë Komuniste Shqiptare. Ky procesverbal u kap nga policia fashiste, në kontrollin që i bënë bazës, shtëpisë, ku ishte teknika e partisë dhe dokumentet e partisë. Që atëherë ky procesverbal nuk është gjendur. Besoj se është zhdukur me qëllim, sepse policia fashiste këtë procesverbal diku do ta kishte. Arkivat e shtetit fashist dhe e policisë fashiste ranë në duart e partizanëve, pasi u çlirua Shqipëria, por kurrkund nuk gjendet.

Pra nuk ka procesverbal origjinal?

Nuk ka, se nuk është gjendur. Kristo Frashëri, nga i ka nxjerrë materialet për këtë procesverbal? Nga dokumentet e policisë. Nga një raport i policisë fashiste, që shkruan për Partinë Komuniste. Pra në këtë dokument janë vënë pjesë të këtij procesverbali. Këto pjesë ka shfrytëzuar Kristo Frashëri, duke nxjerrë konkluzionin se në mbledhjen e formimit të partisë, Enver Hoxha gjithmonë ka mbështetur Miladinin dhe Dushanin. Kurse komunistë të tjerë, si Qemal Stafa, Koço Tashko, aq më tepër ata të grupit të të rinjve kanë pasur dhe kundërshtime, kanë pasur edhe debate. Kështu që jo rastësisht është konkluzioni i Kristo Frashërit, që Enver Hoxha u zgjodh nga Miladini, e mbajti afër dhe e bëri edhe kryetar.

Me këto zhvillime, a mund të themi Enver Hoxha ishte një person në kohën e duhur e në vendin e duhur, apo kishte dhënë ndërkohë kontributet e tij…

Mund të themi këtë gjë, që Miladin Popoviçi diti ta zgjedhë Enver Hoxhën. Diti shumë ta zgjedhë. Të përshtatshëm për të. Sepse Enver Hoxha iu bind Miladin Popoviçit dhe pastaj jugosllavëve, derisa u prish Stalini me Titon. Arriti deri atje puna, që Enver Hoxha i shkruan Titos: “Ne jemi dakord që Shqipëria të bashkohet me Jugosllavinë”, d.m.th. që Shqipëria të gëlltitej nga Jugosllavia. “Dhe kërkojmë nga juve të na thoni datën, se kur duhet ta bëjmë këtë gjë”. Për këtë është dokumenti në Arkivin e Shtetit.

Ndërkohë pretendohet e kundërta, që Enver Hoxha i ka marrë premtim Titos se do t’i japë Kosovën…

Janë ngjarje të ndryshme. Kur ka vajtur Enver Hoxha në Jugosllavi, e para vizitë që bëri, ka qenë vera e 1946-s, në bisedimet që ka pasur “kokë më kokë” me Titon, i ka ngritur edhe çështjen e Kosovës. Mendoj se është shkruar, por nuk mbaj mend se ku dhe me ç’rast, që ambasadori i Shqipërisë në Moskë Koço Tashko i kishte shkruar Enver Hoxhës, që “shokët e këtushëm mendojnë se mund ta ngresh edhe çështjen e Kosovës”. Mirëpo çështja e Kosovës atëherë ishte shumë e mprehtë dhe jo vetëm në Kosovë që nuk pranonin ata të ishin në Serbi, sepse italianët e bashkuan Kosovën me Shqipërinë për interesat e tyre…

Por pretendohet e kundërta, që Enver Hoxha i ka marrë premtim Titos se do t’i japë Kosovën…

Janë ngjarje të ndryshme. Kur ka vajtur Enver Hoxha në Jugosllavi, e para vizitë që bëri ka qenë vera 1946-s, në bisedimet që ka pasur “kokë më kokë” me Titon, i ka ngritur edhe çështjen e Kosovës. Mendoj se është shkruar, por nuk mbaj mend se ku dhe me ç’rast, që ambasadori i Shqipërisë në Moskë, Koço Tashko, i kishte shkruar Enver Hoxhës, që “shokët e këtushëm mendojnë se mund ta ngresh edhe çështjen e Kosovës”. Mirëpo çështja e Kosovës atëherë ishte shumë e mprehtë dhe jo vetëm në Kosovë që nuk pranonin ata të ishin në Serbi, sepse italianët e bashkuan Kosovën me Shqipërinë për interesat e tyre. Enver Hoxha, kur është takuar me Titon (nuk e mbaj mend mirë e duhet parë dokumenti, nëse e hapi Tito apo Enveri çështjen e Kosovës), i ka thënë që “Kosova banohet nga shumicë shqiptare dhe ata duan të bashkohen me Shqipërinë. Por këtë gjë nuk mund ta bëjmë, sepse do të na akuzojë borgjezia serbe se ju po e copëtoni shtetin jugosllav”. Kur ia tregon Enver Hoxha këtë gjë ambasadorit sovjetik në Tiranë, që e ka pyetur për bisedimet me Titon: “Po ju shoku Enver, si u përgjigjët?”. Enveri përgjigjet: Unë i thashë “dakord, shoku Tito”. Ambasadori, këtë bisedë ia ka shkruar udhëheqjes së tij. Rusët kanë botuar e po botojnë vëllime me dokumente arkivash dhe në një nga këto vëllime është edhe ky raport i Ambasadës Sovjetike në Tiranë. Se dokument tjetër për këto bisedime “kokë më kokë” të Enverit me Titon nuk kemi. Tani, besoj që jo vetëm unë, por çdo shqiptar do të mendonte: Po pse mo shoku Enver i the “dakord”, por t’i thoshe “shoku Tito, juve ju akuzon borgjezia serbe, por mua më akuzon borgjezia e Kosovës dhe e Shqipërisë, më akuzon populli i Kosovës që ia kemi premtuar Vetëvendosjen gjatë luftës. Kjo është e drejta, që Kosova të ketë të drejtën e Vetëvendosjes sipas Kartës së Atlantikut”. Ndërsa Enveri i tha vetëm “dakord, shoku Tito”…

Mendoni se do kishte ndryshuar gjë në histori, sikur Enveri ta kishte kërkuar Kosovën?

Do të ishte bashkuar Shqipëria me Kosovën? Ndofta, edhe sikur PKSH-ja të kishte ndjekur një rrugë të drejtë ndaj Kosovës, ajo nuk do të ishte çliruar që atëherë, nuk do ishte bashkuar me Shqipërinë, siç kërkohej atëherë. Por ama çështja e Kosovës do të ishte ngritur, dosja e Kosovës do të ishte shtuar shumë, ndërgjegjësimi i opinionit në Fuqitë e Mëdha dhe në shtetet e tjera të Europës do të ishte rritur për çështjen e Kosovës. Për këtë, udhëheqësit komunistë e kanë treguar mbrapshtësinë e tyre, edhe Tito. Gjatë luftës, ose më mirë ka qenë fillimi, 9 janar 1945 (nëse nuk gabohem), kur lufta akoma vazhdonte, dhe Jugosllavia akoma nuk ishte çliruar komplet, Tito dërgoi një delegacion në Moskë që të bisedojë me Stalinin për dy çështje; së pari, armatime, veshmbathje etj. për ushtrinë jugosllavë, se ashtu ishin kthyer partizanët jugosllavë, në ushtri. Dhe e dyta, pretendimet jugosllave për tokat që kërkonin dhe habitesh se çfarë pretendimesh kishte Tito.

Nga hungarezët kërkon dy rajone të mëdha, sepse ato kishin miniera qymyrguri. Nga Rumania kërkonte disa krahina që kishin një pjesë të vogël të banorëve serbë dhe thoshte: nëse anglo-amerikanët do insistojnë kundër kësaj gjëje, të paktën kombinatet metalurgjike dhe minierat e hekurit të këtyre zonave të jepen në pronësi të Jugosllavisë, se ne kemi nevojë. Nga Greqia kërkonte Greqinë e Veriut, me kryeqendër Selanikun. E pyet Stalini: Po me bullgarët? Tito i përgjigjet: Me bullgarët e kemi rregulluar shumë mirë, por po na prish punë Dimitrovi, se ne edhe sallën e mbledhjes e kishim caktuar dhe rregulluar për bashkimin e Bullgarisë me ne. Stalini i thotë: Po Dimitrovi ka të drejtë, ju nuk kërkoni bashkim, ju kërkoni ta gëlltisni Bullgarinë, ta bëni republikë të Federatës Jugosllave. Kryetari i delegacionit jugosllav thotë: Po interesi i atyre është, sepse bullgarët kanë qenë aleatë të Hitlerit, do të vuajnë sanksionet e të mundurve. Ndërsa po të bashkohen me ne, do t’u shpëtojnë këtyre sanksioneve. Stalini vijon: Po me Shqipërinë. Ai përgjigjet: Aaaaaa, me Shqipërinë jemi në rregull, kemi rënë dakord me shokët shqiptarë për të gjitha gjërat. Shqipërinë e kemi tonën.

Po pse atëherë nuk na morën në Federatë, meqë kishin rënë dakord?

Po ata na morën ne në fakt, vetëm se nuk u formulua “de jure” kjo punë. Dhe sa i mbrapshtë ka qenë Stalini e prapëseprapë u thotë këtyre të Titos, më duket se ka qenë Milovan Gjilasi (nr.2 i Titos), i thotë këtij: Mos shkelni në Shqipëri me çizme. Domethënë, mos u tregoni të ashpër me shqiptarët. Ndërsa kur po prisheshin, Stalini për ta marrë me të mira Titon, i ka thënë Gjilasit: More, çfarë doni ju, doni që ta merrni Shqipërinë? Gëlltiteni, ne dakord jemi… Ama kur erdhi pastaj puna e divizioneve që donte të fuste ai, i tha “jooo, divizionet nuk duhet të shkojnë, do të futeni në luftë me Anglinë dhe nuk ia dilni dot Anglisë”. Se atëherë anglezët ishin në Greqi dhe të mëdhenjtë kishin rënë dakord që Shqipëria të jetë shtet i pavarur.

A janë ditur atëherë këto lëvizje të Enverit me Titon, i dinin shokët e Partisë këto zhvillime?

E mbaj mend si tani, një herë në ato mbledhjet e Byrosë në atë kohën kur bëhej si pushim, Enveri për t’i dalë përpara kësaj, tha: Ka letra që ne i kemi bërë Titos, por ato nuk janë bërë seriozisht, por për të blerë mendjen e tij. E kuptoni?! Të tërë politikanët është zor që t’i gjesh me ideale të pastra. Por Enver Hoxha, edhe veprat e tij po të lexosh del qartë, që mbi çdo gjë ka vënë fronin e tij. Të tërë ata që e kundërshtuan, u hëngri kokën, i pushkatoi me plumb, ose i kalbi në burgje e internime. Sikur të gjithë donin vendin e Enverit, sikur të gjithë komplotonin kundër Enverit, asnjëri nuk kishte një pikëpamje, asnjëri nuk kishte një ide. Pra kjo e ka preokupuar atë, se kush është kundër meje. Se mos isha unë kundër Enverit… (qesh).

Komisar Politik i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare e më pas komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare. A i meritonte vërtet Enver Hoxha këta tituj? A ishte Enver Hoxha vërtet “aq i lavdishëm” si komandant, siç edhe thuhet në disa raste?

Duke qenë sekretar i Përgjithshëm i PKSH-së, sipas eksperiencës jugosllave, sepse e vërteta është kjo, që ato forma organizimi që kishin jugosllavët, ato u bënë edhe në Shqipëri…

U dubluan, u kopjuan domethënë…

Po, gjithmonë është kopjuar Partia Komuniste Jugosllave. Nga kjo mënyrë organizimi, Enver Hoxhës i takonte.

Po a ishte ai vërtet luftëtar? (qesh).
Po të lexosh kujtimet e Enver Hoxhës nga veprat e tij, del që ky ishte në mal, aty në zonën e Elbasanit dhe shikonte me dylbi se si luftonin shokët partizanë. Kuptoni, ky shikonte me dylbi se si qëllonin ata…

A jeni në dijeni, nëse ka qëlluar ndonjëherë Enver Hoxha?

Plenumi i Dytë i Beratit e ka kritikuar shumë Enver Hoxhën për atë që, gjatë luftës nuk ka pasur një udhëheqje të drejtë. Gjatë luftës ama duhet të them, që ajo ishte një luftë partizane e një vendi të okupuar, ishte shumë e vështirë që të kishte një udhëheqje të fortë dhe të përqendruar. Por shumë më tepër mund të ishte bërë, nëse nuk do të ishte Enver Hoxha, por një tjetër më i aftë dhe më i zoti për ta bërë këtë punë, më i sakrificës. Pastaj ki parasysh që periudha më e vështirë e LANÇ ka qenë dimri ’43-’44, atëherë madje u rrezikua fati i shumë reparteve, i shumë organizatave ilegale nëpër qytete, këtë e pranon edhe vetë Enver Hoxha. Gjatë kësaj kohe Enver Hoxha nuk drejtonte as luftën, as partinë dhe as organizatat ilegale, sepse kishte mbetur i rrethuar nëpër zonat Gramsh-Librazhd. Pra tërë kjo periudhë kaq e vështirë kaloi pa udhëheqjen e Enver Hoxhës.

A ka ndonjë dokument apo dëshmi që Enver Hoxha ka marrë pjesë direkt në ndonjë betejë?

Unë nuk di. Të jesh komandant i Përgjithshëm, nuk gjykohesh sa ke luftuar vetë me revole, por sidoqoftë përpunimi i planeve, i direktivave… unë nuk jam nga ata persona që kam qenë në Shtabin e Përgjithshëm, isha shumë e re. Kur u çlirua Shqipëria, unë sapo i kisha mbushur 18 vjeç. Unë kam punuar me rininë. Dhe në të vërtetë, po të marrësh parasysh moshën, habitem tani se sa shumë përgjegjësira kam pasur. Kam qenë 16 vjeçe e pak muaj, kur më kanë bërë anëtare të Komitetit Qarkor të Rinisë Komuniste të Tiranës, pra dhe të Rinisë Antifashiste. Kam qenë një fëmijë. Kam qenë 17 vjeçe e pak muaj kur drejtoja gjithë rininë e Tiranës. Isha 18 vjeçe anëtare e Komitetit Qendror të Rinisë Komuniste të Shqipërisë, Sekretariati i BRASH-it siç quhej. Kam qenë 18 vjeçe kur më futën në Komitetin Qendror të Partisë Komuniste, domethënë kam pasur shumë përgjegjësira në krahasim me moshën. Edhe pse përgjithësisht moshat kanë qenë të reja, por jo në këtë shkallë si unë.

Nëse nuk do të ishte Enver Hoxha kryetar i PKSH-së, kush do të ishte kandidati më i mirë për ta drejtuar atë?

Kë mendoni ju? Kishte komunistë, por nga ata që ishin edhe të aftë, edhe intelektualë, me kulturë, edhe me integritet, edhe humanë – e kam njohur vetë dhe më shumë, ndaj do ta them të parin: ishte Nako Spiro, Ymer Dishnica dhe Sejfulla Malëshova. Përveç Qemal Stafës, që u vra shpejt dhe shumë i ri, më 5 maj 1942, pak muaj pas formimit të Partisë.

Po Qemal Stafën, e vrau Enver Hoxha?

Për Qemal Stafën nuk mund të them.

Ndërsa Nako Spiro u vetëvra…

Këta tre që përmenda i vrau. Për Nako Spiron ka përgjegjësi të madhe, se vërtet ishin intrigat e jugosllavëve, sepse ai iu kundërvu planeve të tyre për të bashkuar Shqipërinë me Jugosllavinë. Ishte ministri i Ekonomisë dhe lufta bëhej pikërisht në luftën ekonomike. Por edhe Ymer Dishnica, edhe Sejfulla Malëshova kanë qenë njerëz me integritet, intelektualë të mirëfilltë. Ndaj kur thonë për shembull Enver Hoxha, “eruditi i madh” e të tjera, nuk më duken përcaktime të drejta, që jo nuk mund ta krahasosh me figura europiane, por as me shokët e tij komunistë.

Mbeti pak e paqartë, edhe për Nakon mendoni se e eliminoi Enveri?

Dëgjoni se si është përgjegjësia e Enverit. Jugosllavët ishin ata që donin që të eliminonin Nakon, sepse ai ishte pengesë, sepse e gjithë lufta po bëhej në fushën ekonomike. Se ata donin që Shqipëria t’i nënshtrohej Jugosllavisë; plane të përbashkëta, çmime të përbashkëta, paraja e unifikuar, heqja e doganave etj. Por jugosllavët nuk mund ta likuidonin Nakon. Me kë e likujduan? E likuiduan me aprovimin e Enver Hoxhës. Se ishte Enver Hoxha kur erdhën akuzat jugosllave, që akuzuan Nakon se është duke vepruar si armik, si agjent i imperializmit, që jo vetëm nuk i refuzoi këto akuza, se ishin absurdë, por i shtroi në Byronë Politike. Enveri e ka hapur mbledhjen e Byrosë. Janë procesverbalet. Dhe Enveri ka përgjegjësinë që Byroja u zhvillua në atë rrugë.

Ramiz Alia thotë që “nuk kishte çfarë të bënte Enver Hoxha”. Ai kishte se çfarë të bënte, sepse në Byronë Politike të asaj kohe vetëm 3 veta ishin njerëzit e jugosllavëve, Koçi Xoxe, Kristo Themelko dhe Pandi Kristo, që do të aprovonin ato që do të thoshin jugosllavët. Gjithë të tjerët ishin me Enverin, do mbështesnin Enverin dhe këta ishin shumica prej 6 vetash: Gogo Nushi, Hysni Kapo etj. Pastaj Enver Hoxha bëri edhe këtë gjë, që nuk kërkoi ndihmën e sovjetikëve. Ne atëherë parti-mëmë kishim Bashkimin Sovjetik, “Jerusalemi” ynë ishte Moska. Ai duhet të vente e ta kërkonte ambasadorin sovjetik dhe t’i thoshte: Jugosllavët na kanë dërguar këtë letër, xhanëm ata letrën nuk e dorëzuan që mos të linin dokumente, por i thanë me gojë. T’i thoshte që Nako Spiro nuk është armik, por ka mbrojtur interesat e shtetit shqiptar dhe i ka mbrojtur në bazë të marksizëm-leninizmit. Por Enveri atë ditë që Nako Spiro si thonë “vrau veten” se këtë variant dha, thirri të ngarkuarin me punë të Bashkimit Sovjetik, se ambasadori nuk ishte këtu por në Moskë, dhe i tha: Janë bërë shumë gabime në marrëdhëniet me Jugosllavinë, që kanë dëmtuar miqësinë e Shqipërisë me Jugosllavinë dhe përgjegjësinë kryesore për këtë e ka Nako Spiro. Shokët jugosllavë na e kanë shtruar këtë gjë dhe ne po e bisedojmë në Byronë Politike, do e kritikojmë dhe do marrim masa për Nako Spiron. Nuk i tha që unë nuk jam dakord me këto. Nuk i kërkoi ndihmë, por i tha do marrim masa. Është dokumenti, raporti që ky sovjetiku i ka bërë qendrës së tij, që më thirri Enver Hoxha dhe më tha kështu e kështu. Kur vajti Nako Spiro te Enver Hoxha, ai nuk e priti. Ditët e tjera e kishte pritur, por pasi tha Enver Hoxha këtë gjë, nuk e priti. Por Nako nuk e dinte këtë gjë, as unë nuk e dija. Dhe Nako u kthye në shtëpi dhe tha: Nuk ka rrugë tjetër, veçse t’ia heq vetes, sepse Enver Hoxha ma mbylli derën dhe Ambasada Sovjetike ma mbylli derën.

Po thoni se e shtynë drejt këtij akti?

Po kush do ta mbronte Nakon…

Po pas kësaj ngjarjeje, Enver Hoxha çfarë tha?

Enver Hoxha e dënoi Nakon, e quajtën armik, u bë plenum i veçantë, plenumi i tetë; u dënua Nako, u dënova unë, Fadil Paçrami, na përjashtuan nga Komiteti Qendror dhe nga Partia. Kurse Mehmet Shehun e kritikuan dhe e mbajtën ministër, se siç duket Enveri kishte parasysh famën që kishte fituar Mehmeti gjatë luftës e nuk deshi të ashpërsohej.

Meqë përmendët Mehmet Shehun, çfarë mendimi keni për të?

Mehmet Shehu ishte njeri i ashpër. Madje mund të them njeri i egër dhe ndoshta te kjo ka influencuar eksperienca e luftës spanjolle. Sepse edhe atje komunistët spanjollë kanë pasur shumë ekstremizëm, shumë sektarizëm, por edhe natyra e tij si njeri. Por në kundërshtim me Enver Hoxhën, Mehmeti kishte disa anë që e bëjnë figurë më pozitive nga ai, nëse mund të përdoret fjala “pozitive”. E para, Mehmet Shehu ka luftuar, ka qenë jo vetëm në Luftën e Spanjës, por edhe në Shqipëri; në Mallakastër, pastaj komandant i Brigadës së Parë, pastaj i Divizionit të Parë etj., pra ka qenë ballë për ballë me armikun, ka luftuar. Mehmet Shehu ka pasur edhe këtë të mirë që ka qenë organizator i zoti, se Enver Hoxha kishte llafe, llafe, llafe, por punën, sidomos në ato 37 vjet që ka qenë kryeministër, e ka bërë Mehmet Shehu. Kishte edhe këtë anë, ato që mendonte, t’i thoshte në sy dhe me përfundime ekstreme, kur i thonë: je devijator, je trockist, etj. Atë fjalën “trockist” e kishte në majë të gjuhës dhe unë, pasi mbarova shkollën e lartë në Moskë, i thosha: More Mehmet, Trocki ka qenë ekstremist i majtë. Ti thua “je oportunist, je trockist”. Oportunist i djathtë ka qenë Buharini, jo Trocki. “Ohuuuuu, lena rehat tashi”, thoshte Mehmeti (qesh). Se nuk donte ta kundërshtonin, thoshte: “Bëri shkollën kjo, pse kjo është më e zonja nga unë”. Unë as që pretendoja që isha më e zonja nga ai, por këto gjëra i kisha mësuar.

Po për Mehmetin, mendoni njësoj si për rastin e Nakos, sa i përket vrasjes apo vetëvrasjes?

Është kaq e pamundur t’i ftillosh këto gjëra në sistemin e diktaturës së proletariatit, aq më tepër kur kanë kaluar kaq vite. Por unë kam thënë për Nako Spiron dhe kjo vlen për të gjithë ata që kanë vrarë veten: Nuk ka vetëvrasje, ka veç vrasje. Se kur e vë njeriun në pozita të atilla që ai thotë “më mirë vdekja”, atëherë e ke vrarë. Dhe të vrasësh veten nuk është kollaj. Është një jashtë mase e vështirë dhe këtë e kam provuar te lëkura ime; nuk e vrava dot veten. Logjikisht duhet ta kisha vrarë, sepse ato që hoqa, ishin jashtëzakonisht të padurueshme për një qenie njerëzore, për një grua të re. Megjithatë, nuk e vrava. Madje kam përballuar edhe atë që nuk mund ta përballojë një nënë, është e tmerrshme, të përballosh vdekjen e vajzës që nuk rrojti një ditë si njeri, një orë si njeri…

Në luftën kundër pushtuesve kanë qenë edhe forca të tjera politike, si legalistët, ballistët apo organizata të tjera. Pse fitoi komunizmi dhe humbën këto?

Në të vërtetë, një analizë shkencore për këtë çështje nuk ka, me sa jam unë e informuar. Sepse nga ato që ka shkruar Enver Hoxha apo historianët e asaj kohe mund të marrësh elemente të së vërtetës, por jo të vërtetën e plotë. Sepse ka pasur një ideologjizim shumë të madh dhe ka pasur një nënshtrim shumë të madh të çdo gjëje nën interesat personalë të Enver Hoxhës. Ndërsa në këto vite nuk kam lexuar diçka serioze. Një farë mendimi e kam dhe unë.

Ajo që mund të quhet “paria e Shqipërisë” e kohës së mbretërisë, d.m.th. ata që ishin politikanë shqiptarë, shtetarë, intelektualë shqiptarë, ata që kishin pasuritë në duar, njerëzit më të arsimuar, u treguan të paaftë në drejtimin e shtetit shqiptar. Duke mos bërë një analizë të Ahmet Zogut, por duke marrë politikën e tij të jashtme, a ka bërë ky njeri gjithë përpjekjet e mundshme për t’i siguruar Shqipërisë një përkrahje, sepse Shqipëria ishte një vend shumë i vogël, shumë i dobët, shumë i varfër. Ndërsa fqinjët e Shqipërisë, Greqia, Serbia ose Jugosllavia që ishte atëherë, Italia, nuk i fshihnin aspak pretendimet e tyre ndaj Shqipërisë. Shqipëria ishte e rrezikuar, ata e shikonin Shqipërinë si një pronësi, si do ndahej mes tyre dhe pjesën më të madhe do ta merrte ai që do të tregohej më i fortë dhe më i zgjuar, si të thuash. Fakti është që Shqipëria u ndodh pa asnjë mbështetje, pa asnjë aleat përpara agresionit fashist.

Dakord, por pse fitoi komunizmi…

U okupua Shqipëria. Kjo “pari” çfarë bëri? Shumë pak ikën me Ahmet Zogun. Ata që mbetën, një pjesë e pranuan pushtimin italian dhe bashkëpunuan me të. Midis tyre ka pasur edhe njerëz që janë përpjekur që brenda këtij pushtimi t’u siguroheshin disa avantazhe popullit shqiptar të Shqipërisë e Kosovës. Për shembull, në fushën e arsimit etj. Por edhe ata që ishin antifashistë, nuk u treguan të aftë të organizoheshin. E para parti politike ishte Partia Komuniste. E para iniciativë për bashkimin e shqiptarëve në luftë kundër okupatorit ishte ajo e PKSH-së, që thirri Konferencën e Pezës. Pse ta thërriste PKSH-ja këtë Konferencë, le ta thërrisnin patriotët, nacionalistët. Edhe bojkotimi i kësaj Konference nuk më duket se ka qenë i përshtatshëm. Të venin dhe të merrnin drejtimin atje, se këta ishin shumica. Partia Komuniste ishte shumë e motivuar për luftën. E para e punës ishte çështja që po luftohej për jetë apo për vdekje, mes socializmit dhe nazizmit. Përveç kësaj, ata duke parë dobësinë e “parisë” shqiptare, e quajtën të mundur që Shqipëria ta shfrytëzonte këtë luftë për t’u bërë hegjemone e luftës dhe për të vendosur pushtetin e saj, që neve e përfytyronim shumë demokratik, sepse do të vinte në fuqi klasa punëtore që nuk ekzistonte, do të vinin masat punonjëse, do të vinte populli, do të kishte liri-demokraci (qesh).

E besonit atëherë vërtet këtë, që do të kishte demokraci?

Patjetër, as që diskutohej që e besonim. Do ishim të gjithë vëllezër. Ajo parulla e revolucionit francez, ato mësimet e Rusoit, ne do t’i zbatonim: Liri, vëllazëri, barazi! Rinia është forca më heroike, më vetëmohuese, por është forca më e manipulueshme, sepse nuk ka eksperiencën e jetës dhe komunistët e manipuluan rininë, e bënë për vete në të vërtetë.

Pra, komunizmi fitoi ngaqë nuk forcat e tjera politike kishin mungesë organizimi?

Po, kjo më tepër. Partia Komuniste u tregua parti me një organizim të hekurt, me një disiplinë të hekurt dhe shtriu rrjetin e saj si parti, si rini, si organizatë gruaje, si organizatë fronti në të gjithë Shqipërinë, qytete e fshatra. Pastaj u tregua dhe shumë e vendosur në luftë, të rinjtë që ishin komunistë, anëtarë partie apo jo, luftuan heroikisht. Kjo gjë e tronditi popullin shqiptar. Vrasja e Qemal Stafës që ishte njeri që gëzonte shumë dashuri dhe respekt te të rinjtë e populli, luftoi heroikisht; vrasja e Misto Mames; vrasja e heronjve të Shkodrës që u dogjën të gjallë duke luftuar për atdheun; vrasja e Muzo Asqeriut; Vojo Kushit etj, D.m.th ishin heroizma që nuk mund të mos e bënin popullin për vete. Unë kam qenë në Tiranë atëherë dhe më besoni, ne na mbështesnin atëherë edhe familjet e atyre që ne i quanim reaksionarë, na jepnin ndihma… LANÇ u zhvillua në kushtet e Luftës së Dytë Botërore. Dhe Lufta e Dytë Botërore, në ndryshim nga Lufta e Parë Botërore, ishte një luftë për pavarësinë e popujve të shtypur nga nazizmi. Ishte një luftë për mbrojtjen e demokracisë, sepse nazizmi luftonte demokracinë, duke e quajtur plutokraci. Ata më shumë kanë luftuar kundër demokracisë në propagandën e tyre, sesa kundër komunizmit. Sepse e nënvlerësonin komunizmin. Me “të drejtë”, se atëherë shtetet që promovonin demokracinë, përfshirë dhe Amerikën, përfaqësonin një forcë shumë të madhe në atë kohë.

Megjithatë, pati një moment kur ballistët tentuan bashkëpunimin me komunistët, madje ranë dakord, siç ndodhi në Marrëveshjen e Mukjes. Pse u prish ajo, tradhtuan komunistët apo ballistët?

As që diskutohet për anën tjetër… Marrëveshja e Mukjes në fakt ka një rëndësi historike, sepse do të siguronte bashkimin e forcave antifashiste të Shqipërisë, kundër okupatorit. Pra, kjo Marrëveshje do të mund të evitonte luftën civile, edhe vëllavrasjen, pa qenë luftë civile. Por Mukja ishte e destinuar të mos kishte sukses dhe jetë.

Pse?

Sepse fatkeqësia ishte më 8 nëntor, te themelimi i Partisë Komuniste, e cila luftën e bënte në dy drejtime: kundër okupatorëve fashistë dhe nazistë, por edhe për të vendosur pushtetin e saj, diktaturën komuniste. Ky ka qenë që në fillim objektivi i saj. Por duke u afruar çlirimi, kjo mori shumë rëndësi. Mori supremaci, d.m.th lufta për diktaturën e PKSH u bë më e rëndësishme, sesa lufta kundër okupatorit.

Me këto që thoni, a mund ta quajmë se pati luftë civile?

Pavarësisht këtyre, unë mendoj se nuk pati luftë civile, nuk do ta quaja kështu. Partia Komuniste deri në fund e vijoi luftën në dy frontet, edhe kundër okupatorit, edhe për vendosjen e pushtetit të këshillave nacionalçlirimtarë, që në fakt ishin organe të PKSH-së, si sovjetët në Rusi.
Por ka dokumente se pati vëllavrasje…

Patjetër, kur shqiptari vret shqiptarin kjo është vëllavrasje, por PKSH-ja pati këtë favor: e ndihmuan nacionalistët shqiptarë, i dhanë ndihmën më të madhe PKSH-së duke bërë aleancë me okupatorët. Në fillim si fshehur, pastaj bashkëpunuan haptas. Unë, në Arkivin e Shtetit, duke kërkuar një dokument për veten time, që nuk e mbaj mend për çfarë e doja, hasa në një raport që komanda e xhandarmërisë i bënte kryeministrit. Një nga pikat e raportit ishte: “Dje, mbrëma, në Tiranë janë arrestuar 26 veta” dhe jepte listën, ku ishte edhe emri im. Po në këtë kërkim gjeta dokumentin, ku ky komandant raportonte dhe thoshte: Forcat e komanduara nga Kadri Cakrani, që ishte komandanti i Përgjithshëm i Ballit Kombëtar, megjithëse kanë marrë nga gjermanët armatime, ushqime, veshmbathje etj., prapë u mundën në betejë me partizanët. E kam lexuar vetë këtë në dokument. D.m.th. nuk ishin në gjendje që të përballonin luftën me PKSH-në, me forcat që ajo kishte grumbulluar rreth vetes së saj dhe i komandonte, atëherë janë detyruar që të bëjnë kompromis, madje të bashkëpunojnë me gjermanët. Në operacionin e dimrit, ballistët dhe gjermanët kanë qenë bashkë kundër partizanëve. Në periudhën e okupacionit italian ka pasur mjaft raste kur partizanët dhe ballistët kanë luftuar së bashku kundër tyre. Hysni Kapo, në mbledhjen e Plenumit të Dytë që u bë në Berat, duke diskutuar thotë: Vihemi në pozitë të vështirë, se ata të Ballit (p.sh. në Vlorë ishte Skënder Muço, Hysni Lepenica, që kanë luftuar kundër okupatorit) na propozojnë për bashkëpunim. Hysni Lepenica na thotë: Hajdeni të vendosim se çfarë aksionesh të përbashkëta të bëjmë, ç’luftë të përbashkët të bëjmë. Dhe ne si t’i shmangemi, sepse ju na keni udhëzuar që të mos pranojmë të bashkëpunojmë me Ballin Kombëtar në luftë”. D.m.th. Enver Hoxha, në krye të PKSHsë, bashkë me mësuesin e tij Miladin Popoviçin, ndiqnin politikën që, jo të aktivizonin Ballin Kombëtar në luftë, jo të ndihmonin që Balli Kombëtar të mos lëkundej, përkundrazi. Duke e goditur dhe duke mos pranuar bashkëpunimin me Ballin Kombëtar, qëllimi ishte që të mos ndahej pushteti. Ai që do të luftonte, do të bëhej pjesëtar në pushtet. Dhe pastaj ishte kjo, që nofka “bashkëpunëtor i fashizmit” është përdorur për çdo element që ka qenë antikomunist ose nuk u pëlqente udhëheqësve komunistë. Kjo u bë për të gjithë kundërshtarët e PKSH-së, të tërë quheshin “bashkëpunëtorë të fashizmit”. E ka përdorur shumë këtë.

Me rastin e 70-vjetorit të Çlirimit, gazeta “Panorama” botoi disa shkrime dhe foto, ku pretendohet se partizanët kanë vrarë civilë të pafajshëm, pa gjyq, duke i ekzekutuar e madje duke hedhur valle rreth tyre. Dëshmi këto që janë marrë nga arkivat britanikë (dëshmitë e oficerëve britanikë në Shqipëri), por edhe nga personazhe që janë gjallë, siç është rasti i Sami Repishtit. A kanë ndodhur ngjarje të tilla?

Po, kanë ndodhur ngjarje të tilla. Po tregoj një rast. Unë atëherë nuk kam qenë në Tiranë, kam qenë në Berat se atje ka qenë Shtabi i Përgjithshëm. Por e di shumë mirë këtë gjë, se mes atyre të vrarëve kanë qenë dhe dy vëllezërit e Musine Kokalarit, Muntazi e Vesimi. Njëri nga vëllezërit e saj, Muntazi, që ishte avokat, ka qenë burri i kushërirës së nënës sime. Ata janë vrarë jo si “spiunë e bashkëpunëtorë”, por njerëz antikomunistë ose të supozuar si rivalë të komunizmit. P.sh. vëllezërit e Musinesë nuk kishin zhvilluar ndonjë aktivitet politik, ishin deklaruar si antikomunistë. Ata ishin demokratë nga formimi i tyre, me kulturë perëndimore, të arsimuar atje. Idetë komuniste për ta ishin të huaja, por ata janë vrarë me atë që do të të them më vonë… Në mbledhjen e Komitetit Qendror, plenumi i dytë, kur është kritikuar Enver Hoxha për “politikë terroriste gjatë luftës”, Kristo Themelko ka thënë: “Unë tani po e kuptoj që paskemi vepruar shumë gabim. Sepse shoku Enver më kishte thënë që ne të vrasim sa më shumë reaksionarë, pa gjyq, fshehurazi, prapa krahëve, sepse këta kur të çlirohet Shqipëria, do të na bëhen pengesë në zgjedhje”. Pra, ky ishte një orientim. Gogo Nushi që ka qenë një besnik i madh i Enver Hoxhës, tha në plenum: “Kam marrë një letër nga shoku Enver: Më bëj një listë me 30 veta që të vriteshin në këtë mënyrë, prapa krahëve. Kur e lexoj listën, atje nuk kishte asnjë spiun. Madje, një pjesë e tyre ishin antifashistë, njëri ishte kryetari i Këshillit Nacionalçlirimtar të Tiranës. Në atë listë kishte edhe komunistë. Unë nuk e pranova këtë listë dhe bisedova me Nako Spiron, që atëherë ishte ilegal në Tiranë. Edhe Nako ishte kundër dhe vendosëm të mos e zbatojmë këtë urdhër dhe nuk e zbatuam”. Tani, këto diskutime, nëse nuk do të ishin të vërteta, do t’i kishte kundërshtuar Enver Hoxha, por ai nuk i ka kundërshtuar. D.m.th. Kristo Themelko nuk ka gënjyer, kur ka thënë se Enver Hoxha më tha “vrisni sa më shumë reaksionarë prapa krahëve”, as Gogo Nushi nuk ka gënjyer… Ja si janë rrënjët e së keqes.

Pse fitorja aq e madhe e LANÇ, degjeneroi më pas në diktaturë? 

Nëse bëhet pyetja përse fitorja e kësaj lufte me kaq sakrifica të mëdha që bëri populli, krahina të tëra të djegura, pushkatime të fshatarëve, të partizanëve të vrarë etj. dha si rezultat një fitore të hidhur, apo diktaturën siç thoni ju me të drejtë, përgjigjja është vetëm një: 8 nëntori, Partia Komuniste që e udhëhoqi këtë luftë, që e organizoi këtë luftë, që e bën edhe sot e kësaj dite të diskutohet kjo luftë dhe që ato djem dhe vajza të reja që morën malet të quhen kriminelë. Ndërsa ka ca që më dalin me fotografinë e Enver Hoxhës. Po atyre Enver Hoxha ua bëri gjëmën… Ku ka komandant batalioni, brigade, korparmate, divizioni, çetash që nuk u vranë, nuk u burgosën apo nuk u internuan nga Enver Hoxha. Ku?

Meqë dolëm këtu te portreti, si ndiheni kur në aktivitetet e ndryshme për çlirimin e Tiranës apo të Shqipërisë ngrihet portreti i Enver Hoxhës?

Të them të drejtën, mbase të duket e çuditshme, por e para gjë që bëj kur shoh portretin e Enver Hoxhës, është që qesh. Më duket diçka shumë absurde, e papranueshme, por ndiej edhe revoltë, hidhërim dhe them me vete: “Si është e mundur?! Në një vend që pati kaq viktima, që vuajti kaq shumë…”. Ta marrësh edhe nga logjika komuniste: Mirë, hajde de, derisa sa ishte Stalini i “pashkurorëzuar”, ky njeri duke qenë komunist veproi sipas stalinizmit. Megjithëse komunistë ishin edhe çekët, ishin edhe polakët, ishin edhe shumë vende të tjera, por nuk janë bërë këto krime kaq të tmerrshme. Por pastaj Stalini u dënua, krimet e Stalinit u bënë publike në të gjithë botën, se raporti sekret i Hrushovit i ra në dorë amerikanëve dhe ata e botuan. Enver Hoxha jo vetëm nuk e dënoi Stalinin si të tjerët, por rrëmbeu flamurin për të mbrojtur stalinizmin dhe e tejkaloi stalinizmin. Absurditeti i tij arriti kulmin, kur ai mendonte se po bëhej udhëheqësi i revolucionit proletar botëror, do të themelonte Internacionalen e katërt. Të parën e themeloi Marksi, të dytën Engelsi me Socialdemokracinë gjermane, të tretën Lenini, ndërsa të katërtën do ta themelonte Enver Hoxha. Marrira! Në vend që të merrej me popullin që jetonte në mizerje, ai e armiqësoi Shqipërinë me gjithë botën.

Deri në 1960, para se të burgoseshit e të nisnin një nga një dramat e tragjeditë tuaja familjare, ju keni qenë anëtare e Byrosë Politike, sekretare e Komitetit. Pas çlirimit e deri në këtë vit (pra 1960) kanë ndodhur disa pushkatime nga PKSH-ja, p.sh. Bahri Omari, Koçi Xoxe, Bedri Spahiu etj. A ishin të drejta këto eliminime? A ndiheni edhe ju përgjegjëse për ekzekutimet nga paslufta e deri në 1960-n?

Po të them këtë gjë. Edhe kur kam qenë e dënuar, edhe u kritikua Stalini dhe u dënuan krimet e tij, kam menduar se burgosjet, internimet, vrasjet pas çlirimit, pra ajo pjesa e parë kur janë dënuar bashkëpunëtorët e fashizmit, ka qenë e drejtë. Duke kaluar vitet, duke u ballafaquar me dokumente, e kam kuptuar sa gabim e kam pasur… P.sh. kam qenë në Holandë. Atje, gjatë bisedës doli që këta pas Luftës së Dytë Botërore kishin pushkatuar vetëm 3-4 veta, shumë pak të burgosur dhe asnjë i internuar, sepse Holanda është shumë e organizuar. I thashë atij që po më fliste: “Po mbase nuk keni pasur shumë bashkëpunëtorë, tradhtarë…?”. Ai qeshi dhe më tha: “Holandezët e quajnë vetën kushërinj të gjermanëve dhe Hitleri e partia naziste kishin zhvilluar aktivitet, propagandë në Holandë dhe kanë pasur përkrahës të shumtë atje”. Atëherë e pyeta: “Si është e mundur, pse kaq pak dënime?!”. M’u përgjigj: “Sepse me dënime nuk zgjidhen gjërat në një shtet, në një shoqëri. Ne kemi dënuar ata që kanë qenë me të vërtetë kriminelë, vrasës. Kemi burgosur ata që ishin të rënduar. Vrit një, burgos një, por pas atij është familja, farefisi, në radhë të parë kush do t’i ushqejë ata?”. Atëherë unë i kam vënë gishtin kokës: “Bobo, po ne ç’kemi bërë?! Ne kemi bërë hatanë…”. Kur kam vajtur në Ballsh duke u interesuar për pronat e babait tim, kam gjetur në regjistrin e hipotekës shumë vendime për shpronësime të një komisioni që paska qenë në Mallakastër dhe besoj ka qenë edhe në krahina të tjera. Aty thuhej: “I shpronësohet familjes së filan fistekut, se ka qenë simpatizant i Ballit Kombëtar”. Kishte edhe që ka qenë me Ballin, por mendoni ndëshkimi kishte shkuar deri edhe tek ata që supozoheshin si simpatizantë. Dhe u ishin sekuestruar 5 kokë dhi, dhjetë dhen, deri te rrogozat, kusitë, tepsitë, jorganët. Atëherë me gjithë mend jam tronditur që si t’ju them, përfytyrojeni vetë se deri ku ka vajtur thika… Ato procesverbale ishin shumica të “firmosura” me gisht dhe disa të tjerë me shkarravina, se dihet që në ato analfabetizmi ishte në kulm. Pa lëre pastaj kur është vjedhur floriri, që kushedi sa vjedhje janë bërë….

Si ish-partizane e LANÇ-it, a mund të thuash se Shqipëria u çlirua me forcat e veta, pa ndihmën e asnjë formacioni ushtarak të forcave të Aleancës Antifashiste?

Duhet bërë dallim mes Luftës Antifashiste të popullit shqiptar dhe Luftën Nacionalçlirimtare që u udhëhoq nga PKSH-ja. Lufta Antifashiste e popullit shqiptar nuk duhet zhvlerësuar. Populli shqiptar, i vogël në një vend të vogël, nuk mund të lozte një rol të madh, por e kreu detyrën e tij. Tani, a u çlirua me forcat e veta Shqipëria? Mendoj se kjo gjë nuk duhet theksuar kaq shumë. Se lufta e popullit shqiptar ishte pjesë e Luftës së Dytë Botërore. Po të mos fitonin këto forca kundër Gjermanisë naziste, Italisë fashiste, Japonisë militariste, a mund të mendohej çlirimi i Shqipërisë? Nëse nuk do të kishte ardhur ai urdhri i famshëm nga Komanda Gjermane për “Armatën E” (armata gjermane e Ballkanit) se duhet të tërhiqeni, do të fitonin me kaq sukses forcat partizane? Duhet të thuhen këto gjëra siç janë. Ndërsa anglezët nuk qe nevoja të vinin, por deshën vetë të vinin për të ndihmuar popullin shqiptar, sidomos në minimin e urave dhe sabotazhet. Ndërsa Enver Hoxha u vuri pushkën, e ka thënë edhe vetë. Po ashtu edhe amerikanët…

Po ndihma e sovjetëve dhe jugosllavëve, në ç’nivele ka qenë?

Në të vërtetë luftën në Shqipëri vetëm britanikët e kanë ndihmuar. E kufizuar ka qenë ndihma, por ama ishte e vetmja ndihmë. Nga anglezët pati disa që dhanë jetën duke luftuar në Shqipëri. Për shembull ka qenë një kolonel me gjeneralin Devis. Enver Hoxha tregoi paturpësi, sepse këtë gjeneral ai e la pa mbrojtje në malet e Martaneshit, ndërsa duhet ta kishte siguruar me rojë. Enver Hoxha humbi një rast të jashtëzakonshëm me gjeneralin Devis, duhet ta kishte ruajtur si ujët e pakët, se më pas ai do t’i siguronte ndihma të mëdha. Ndërsa sovjetikët dërguan një major, të shoqëruar me një radist, në gusht të vitit 1944, kur lufta kishte angazhuar tërë Shqipërinë. Vetëm kaq!

Ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu i cilësoi si “monstra” ata që glorifikojnë figurën e Enver Hoxhës. Nga ana tjetër, djali i Enverit iu kundërpërgjigj duke e quajtur “prepotenca e përfaqësuesit t? nj? superfuqie”… Si do ta komentonit këtë? 

Unë e kam lënë fëmijë atë dhe kisha shpresë që ai Sokoli do të dilte pak më ndryshe, se dukej më i kuptueshëm, më inteligjent. Ky Iliri më dukej ca i trashë nga truri, mbase e kam gabim… Nuk kam ç’të them tjetër, veçse më vjen shumë keq për ta.

Dua të të pyes për Nexhmije Hoxhën, në çfarë rrethanash e keni njohur dhe si do ta portretizonit atë? 

Nexhmijen e kam njohur nga fillimi i luftës. Në shkollë nuk e kam njohur, se ishte katër klasë më e madhe nga unë. Ajo ishte në katin e dytë a të tretë, ndërsa unë në të parin. Pastaj ajo nuk ishte konviktore, ndërsa unë isha konviktore. Por në luftë kur e kam takuar, më ishte dukur një nxënëse e institutit tonë, që ishim aq shumë të lidhura me atë shkollë. Inteligjente, e rregullt, antifashiste e vendosur dhe mendoj se vërtet ashtu ka qenë. Pastaj u transformua krejt…

Mendoni se Enveri e transformoi Nexhmijen apo Nexhmija Enverin?

Nuk diskutohet, Enveri e transformoi Nexhmijen. E përpunoi atë. Mbaj mend vetëm diçka, që më tha Nako Spiro: “Kjo grua ka marrë fund. Për këtë grua tani është gjithçka karriera e të shoqit”. Unë këtë gjë e kisha thënë edhe mes shoqesh. Siç duket, ndonjëra prej tyre që e takonte Nexhmijen, ia ka thënë këtë gjë. Dhe në librin e saj të fundit “Lufta jonë çlirimtare”, Nexhmija shkruan nja gjysmë faqe për mua duke më kritikuar. Thotë: “Unë gjithmonë e kam mbrojtur dhe e kam ndihmuar Enverin. Edhe këtë libër e të tjerët që kam shkruar, i kam shkruar për të mbrojtur Enverin”. Ta kisha e t’i thosha: “Po të paktën, nuk të vjen turp? Cilin Enver ke mbrojtur e ndihmuar ti? Atë që është kriminel, atë që vrau shokët e tij? Atë që nuk la komandant pa vrarë e burgosur? Atë që i kërkoi Titos bashkimin e Shqipërinë? Atë që u ngrit për të mbrojtur Stalinin, atëherë kur tërë bota e dënonte për krimet e tij? Edhe nëse ke një mendje kaq të mbrapshtë dhe një shpirt kaq të keq, nuk të vjen keq për fëmijët, nipërit e tyre që aq shumë kanë vuajtur…”.

A ka pasur ndonjëherë shoqe të ngushtë Nexhmije Hoxha? 

Me sa di unë, ato që duhet të konsideroheshin shoqe të saj, të gjitha u dënuan. Duke filluar nga Fiqirete Shehu që kanë qenë në të njëjtin grup komunist, atë të Shkodrës. Di që kanë qenë shumë shoqe që atëherë. U tregua e pamëshirshme me të. Naxhije Dumen e ka pasur shoqe, në një klasë, në një bankë, e dënuar. Drita Kosturi, e dënuar… Mua në vitet e shkollës nuk më ka patur shoqe, por pastaj nuk mund të thuash se nuk ishim, se unë punoja me rininë, pastaj u martova me Nakon, e shumë vite isha sekretare e Propagandës, ndërsa ajo ishte drejtore e Propagandës. Por Nexhmije Hoxha nuk ka pasur shoqe të ngushtë ndonjëherë, edhe pse këto që përmenda më sipër pretendoheshin si të tilla.

Për Enverin thatë që ka vrarë të gjithë shokët e tij që i shihte si rivalë. Vlen kjo gjë edhe për Nexhmijen, i vrau/ dënoi ajo shoqet e saj? 

Nuk i ka vrarë Nexhmija në të vërtetë. I ka dënuar dhe i ka vrarë Enveri. Por çështja është kjo: Nexhmije Hoxha çfarë roli ka lozur përpara Enverit? Çfarë qëndrimi ka mbajtur, kur shoqet e saj dënoheshin e vriteshin? Nuk mund të shkarkohet nga përgjegjësia me një justifikim infantil. Thotë në librin e saj: “Pasditet, d.m.th. pasdrekat ishin tonat. Por nuk bisedoja për gjërat politike”. Pra rrinte me Enverin, bisedonte, shëtisnin… Po për çfarë bisedonin Nexhmija e Enveri? Për gjellët? Gjellët i bënin kuzhinierët… Për ekonominë shtëpiake që nuk u dilte dhe si t’ia bënin këtë 15-ditësh? (qesh)

Vitet e fundit, Enver Hoxha nuk ishte në gjendje aq të mirë shëndetësore, ndërkohë që ndodhën eliminimet e mëdha; ushtarakët, inteligjenca e naftës, ajka e ekonomistëve, disa ministra etj. Thuhet se gjatë kësaj periudhe ka qeverisur Nexhmija “de facto”. E besoni këtë?

Jo, nuk e besoj që Nexhmija të ketë qeverisur.

Po që të ketë influencuar? 

Jo, nuk ka influencuar që Enver Hoxha të merrte këto vendime. Por një gjë them, Nexhmija nuk qenë fort në rregull me nerva dhe këta tipa kanë maninë e persekutimit. Dhe kjo mund të ketë pasur maninë e drojës, të paranojës. Por ajo që nuk u falet është: Flitet për vrasjet e shokëve dhe shoqeve të tyre, flitet për vuajtjet e fëmijëve të këtyre që u rritën me fëmijët e saj, njeriu sidoqoftë – edhe politikani është njeri, nuk është ujk…. Të them të drejtën, nuk e kam aprovuar fare atë që ajo shkruan libra me kujtime, që ajo mbron Enverin, justifikon Enverin. Do ishte shumë më e mençur sikur ta mbyllte gojën. Të rrinte në heshtje. Do të ishte edhe më mirë për atë dhe fëmijët, se çdo gjë që shkruan dhe thotë ajo provokon reagim, urrejtje.

Të ka rastisur të përballesh me të pas ardhjes së demokracisë?

Jo, jo. Mbaj mend vetëm njëherë.
Nuk kishim shumë që kishim ardhur në Tiranë. Unë, Fadil Paçrami dhe Muhamer Spahiu po rrinim te dera e Ministrisë së Drejtësisë, që atëherë ishte tek ndërtesa e Komitetit Qendror, derën e kishte andej nga veriu. Binte shi dhe ishim strukur si varfanjakë. Ishim të dobët, se sa kishim dalë nga ato internimet. Kjo doli me veturë nga vila nr. 6 dhe kaloi para nesh. Pati një buzëqeshje, që mua m’u duk si ngërdheshje, sikur deshi të na thoshte: Aty të rrini mor qelbësira, në shi të rrini. Më ka mbetur në mendje ajo ftohja që përjetova atë ditë, që dridhesha nga të ftohtit, se kishim nja dy orë që po prisnim të na takonte ndonjë drejtor a dikush tjetër dhe të na jepnin ndonjë referencë. Kështu na kanë trajtuar, në mënyrë çnjerëzore kur kemi ardhur…

Nga viti 1992 kur zyrtarisht erdhi demokracia e deri tani, kanë kaluar 23 vjet. Në këto dy dekada, Nexhmije Hoxha ka jetuar e jeton në Laprakë. A nuk ju ka shkuar ndonjëherë në mendje që t’i shkoni te shtëpia dhe të ballafaqoheni me të për të gjitha akuzat? 

Këtë mund ta bëja, por jo me një njeri si Nexhmija. Por me një njeri që nuk ka këto krime, nuk është kaq e penalizuar. Do më kujtohej vajza… Si mund të veja? Çfarë do të bëja duke i shkuar në shtëpi asaj? Që ta shaja? Ta pështyja? Nuk ka mbetur asgjë, nuk ka mbetur asgjë në zemrën time për Nexhmije Hoxhën, për sjelljet që ka bërë. I thonë 20 vjet e kusur….

A nuk ishte e mundur shmangia e internimit tuaj nga fatkeqësitë e tjera familjare nga ana e miqve tuaj në Parti?

Kam eksperiencë të hidhur. Kur u ktheva nga internimi në Tiranë, askush nuk erdhi të më takonte dhe të më rrëfehej: “Që kur thoshte Enver Hoxha kështu, unë dhe ky shok/shoqe mendonim ndryshe. Por nuk kishim se ç’të bënim”. Dhe këtë e besoj, nuk kishin se çfarë të bënin. Nuk kishin… Se kishte një rrjet spiunazhi të jashtëzakonshëm. Nuk thoshte kot Kadri Hazbiu: “Ne e dimë se sa lugë dhe sa pirunj ka çdo tiranas në shtëpi”.

Jam kurioze, po Ramiz Alia si arriti të bëhet pasuesi i Enver Hoxhës? Ishte një zgjidhje e rrethanave të fundit, apo plan i menduar herët?
Atë e ka bërë me plan Enver Hoxha, pra duke filluar të plakej, por pa u sëmurë. E mori dhe e bëri drejtor të Propagandës, që ta afronte pranë Komitetit Qendror të PPSH-së, pranë vetes së tij. Dhe e takonte. Enveri duhet të më takonte mua, por Ndoshta mendonte, dhe për këtë kishte të drejtë, se Mehmet Shehu ishte më i zoti se ai (qesh). Të them të drejtën, nga Mehmet Shehu nuk kam kuptuar asgjë që të ishte kundër Enverit. Vetëm një gjë, në fillim të jetës sonë në Byro, kur bënte Enveri ato konkluzionet “zgjat e zgjat, zgjat e zgjat” që nuk mbaronin për orë të tëra, Mehmeti nervozohej, se ishte njeri impulsiv, se nuk e ruante dot atë nervozizmin. Edhe unë nervozohesha, por nuk e shfaqja… Aq i thellë dhe kompetent ishte në informacione Enveri? takonte Ramiz Alinë më shumë.

Pra, e ka menduar herët planin?

Po, po, e ka menduar herët. E ka bërë këtë gjë, sepse ka menduar që të jetë sa më i formuar, por edhe sa më i kontrolluar. Do t’i besonte dinastinë. Do t’i besonte jo vetëm Shqipërinë, por edhe familjen e tij.

Në gjithë aparatin e Komitetit Qendror të PPSH-së, Byrosë Politike etj., nuk kishte ndonjë tjetër më të zotë se Ramiz Alia?

Enver Hoxha i ka besuar edhe Hysni Kapos, por Hysniu nuk ishte shumë i zoti. Shumë i zoti ka qenë Mehmet Shehun, por Enver Hoxha nuk e besonte Mehmet Shehun.

Pse nuk e besonte Mehmet Shehun?

Ndoshta mendonte, dhe për këtë kishte të drejtë, se Mehmet Shehu ishte më i zoti se ai (qesh). Të them të drejtën, nga Mehmet Shehu nuk kam kuptuar asgjë që të ishte kundër Enverit. Vetëm një gjë, në fillim të jetës sonë në Byro, kur bënte Enveri ato konkluzionet “zgjat e zgjat, zgjat e zgjat” që nuk mbaronin për orë të tëra, Mehmeti nervozohej, se ishte njeri impulsiv, se nuk e ruante dot atë nervozizmin. Edhe unë nervozohesha, por nuk e shfaqja…

Aq i thellë dhe kompetent ishte në informacione Enveri?
Enveri kishte një inflacion të tmerrshëm fjalësh dhe ishte jashtëzakonisht i përciptë, nuk ka pasur ndonjë problem në Byro që ai të ishte vërtet kompetent. Megjithëse kërkonte material, për çdo problem i përgatisnim nga një dosje të madhe. Budalla nuk ishte, që të themi të vërtetën. Lexonte, lexonte, por nuk është kulturë thjesht leximi. Lexo sot një gjë e nesër një gjë, kishte njohuri të përcipta dhe ekleptike dhe jo me sistem, të thelluara, me analizë…. Unë, kur e krahasoj me Nako Spiron, shikoj një diferencë të madhe. Nako, kur fillonte të lexonte diçka, verifikonte çdo gjë. Mbaj mend njëherë kur Nako po lexonte diçka për Stalinin. Ishim në një dhomë, ndërsa studioja e tij ishte ngjitur, me një derë në mes. Ngrihej që andej, “gërgëliste” në bibliotekë, rrëmonte aty e merrte ndonjë gjë, pastaj vinte e lexonte prapë. Këtë gjë ai e bënte për çdo libër që kishte referenca, i verifikonte të gjitha.

Përtej atyre që janë thënë lidhur me burgosjen tuaj, cili ishte “faji i vërtetë” i Liri Belishovës, që nuk e gëlltiti dot Enver Hoxha apo dikush tjetër, saqë ju burgosi? 

Në lëvizjen ndërkombëtare komuniste shpërtheu polemika mes atyre që kritikonin Stalinin, dënonin stalinizmin dhe ishin për një kurs politik më të moderuar, me elemente demokratizimi, dhe sidomos për një politikë bashkëjetese paqësore me Perëndimin, duke vënë në qendër të vëmendjes evitimin e një lufte të tretë botërore, që do të ishte patjetër atomike, se ndërkaq ishin prezentë armatimet atomike. Enver Hoxha në fillim u lëkund, sepse nuk ia mbante t’i kundërvihej Bashkimit Sovjetik. Por ndoshta…

Përtej atyre që janë thënë lidhur me internimin tuaj dhe burgosjen e bashkëshortit Maqo Çomo, cili ishte “faji i vërtetë” i Liri Belishovës, që nuk e gëlltiti dot Enver Hoxha apo dikush tjetër, saqë nisi persekutimi familjar ndaj jush?

“Faji” është ky që do ta shpjegoj… Në lëvizjen ndërkombëtare komuniste shpërtheu polemika mes atyre që kritikonin Stalinin, dënonin stalinizmin dhe ishin për një kurs politik më të moderuar, me elemente demokratizimi, dhe sidomos për një politikë bashkëjetese paqësore me Perëndimin, duke vënë në qendër të vëmendjes evitimin e një lufte të tretë botërore, që do të ishte patjetër atomike, se ndërkaq ishin prezentë armatimet atomike. Enver Hoxha në fillim u lëkund, sepse nuk ia mbante t’i kundërvihej Bashkimit Sovjetik. Por ndoshta dhe çdo mendje njerëzore, po supozoj edhe Enver Hoxhës pse mos t’i pëlqente një kurs paqësor? Kjo është gjë që nuk besohet, se mendja e tij ishte shumë e mbrapshtë (qesh)… Enver Hoxha u tremb nga Konferenca e Tiranës. Në këtë Konferencë, me gjysmë goje, me gjuhën e Ezopit, u ngritën shumë kritika kundër tij.

Atëherë ai e kuptoi që do t’i kërkohej llogari për çfarë ishte bërë në Shqipëri. Dhe duke qenë një njeri që për çdo gjë vinte kolltukun e tij diktatorial, Enveri me të gjitha forcat iu kundërvu kritikës së Stalinit, ky marksist-leninist i famshëm rrëmbeu flamurin e stalinizmit. Kjo taktikë e tij ka bërë të qeshin shumë gazetarë e personalitete botërore, sepse e dinin që nëse kishte Parti Komuniste shumë të varfër nga pikëpamja e përgatitjes teorike dhe e kuadrove si filozofë, teoricienë marksistë, kjo ishte Partia Komuniste Shqiptare në Europë. Pra, Enver Hoxha mori kursin stalinist, sepse vetëm me një kurs të atillë siguronte më mirë sundimin e tij dikatorial. Ndërsa një kurs liberalizimidemokratizimi i krijonte atij vështirësi dhe rreziqe.

Po ju, ishit për këtë kursin e ri?

Po, unë kam qenë për kursin e ri. Mendoj që në shpirt kanë qenë dhe anëtarët e tjerë, por tjetër që nuk guxuan që të dalin kundër Enverit.

Mbështetja e këtij kursi ju “dogji”?

Si qe dënimi im… Kinezët, me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Leninit, që i bie në prill 1960, botuan një sërë artikujsh në organin e tyre qendror, me titullin e përbashkët: Rroftë Leninizmi! Këta artikuj neve na erdhën me vonesë, derisa u përkthyen etj. Duke lexuar këto artikuj, unë kuptova që kinezët jo vetëm nuk janë dakord me kursin e ri, por kanë ndërmend t’i kundërvihen haptas. Se atje nuk përmendej as Bashkimi Sovjetik e as Hrushovi, por thuhej “revizionizmi jugosllav”, ose thjesht “revizionizmi modern”. Një njeri që jetonte me këto gjëra, e kuptonte që po i bihej tenxheres për t’u dëgjuar dera. Këtë gjë e kuptoi dhe Thanas Nano, që atëkohë ishte drejtor i Agjencisë Telegrafike Shqiptare. Nga ATSH-ja, neve na dërgoheshin të daktilografuara lajmet që merreshin aty, por të ndara në këtë mënyrë: Buletini blu, që ju shkonte edhe gazetave dhe radios, pra ishin lajme që mund të botoheshin apo dilnin në radio e TVSH. Buletini jeshil, u dërgohej anëtarëve të Byrosë Politike, ministrave dhe një rrethi të zgjedhur, këto nuk ishin të destinuara për botim.

Ndërkaq, ndonjëherë kishte edhe disa zarfe të veçanta, që i dërgoheshin Enver Hoxhës, por shpesh edhe mua si sekretare e Propagandës, Mehmet Shehut. Këto ishin lajme që as anëtarët e Komitetit Qendror të PPSH-së të mos i dinin. Këto sidomos kur nisi kjo “lufta” për stalinizmin dhe kundër stalinizmit. Këta artikujt kinezë kanë ardhur me zarfin jeshil, pra nuk duhet të botoheshin. Kaluan nja dy ditë dhe më thirri Enver Hoxha në zyrën e tij. Më tha: “Liri, i ke lexuar artikujt e gazetës kineze?”. I thashë: “Po”. Më tha: “Pse nuk janë botuar në gazetë, në ‘Zërin e Popullit’?”. Iu përgjigja: “Nuk janë botuar shoku Enver, se ato bien në kundërshtim me ato që keni thënë ju në Kongresin e Tretë të Partisë, si mund t’i botonim? Me Rezolutën e mbledhjeve të Partive Komuniste në Moskë?”. I thashë kështu, se e dija unë që Enverit ajo i interesonte, prestigji i tij… Më tha “mirë”, e kështu dola unë nga zyra. Të nesërmen sërish më thërret në zyrë.

Më thotë: “Bisedova me shokët dhe më thanë që t’i botojmë artikujt e kinezëve”. Kur thoshte “shokët” e kishte fjalën për Mehmet Shehun dhe Hysni Kapon. Nganjëherë thërrisnin dhe Beqirin, por Beqiri i shkretë nuk ishte në nivelin e këtyre. Fillova prapë unë njëherë më gjerë, duke i treguar çfarë ka shkruar Marksi, Engelsi, Lenini etj. I thashë: “Shoku Enver, këto artikujt bien në kundërshtim me ato që ka thënë Lenini”. Pastaj fillova t’ia argumentoja gjerë e gjatë. Prapë më tha “mirë” dhe u largova. Të tretën a të katërt, se nuk e mbaj mend sa herë më ka thirrur për të njëjtën gjë, të them të drejtën e pashë që nga fytyra që nuk kishte më diskutim. Më tha: “Kemi vendosur me shokët që të botoni një përmbledhje, një shkurtim të artikujve. Merr një nga shokët dhe shkurtojini ato dhe të botohen në ‘Zërin e Popullit’”. “Po ato nuk shkurtohen shoku Enver”, i thashë unë. “Jo, jo, do të shkurtohen dhe botohen, kështu kemi vendosur”. Ika unë dhe këtu kuptohen marrëdhëniet e anëtarëve të Byrosë Politike me Enver Hoxhën. Isha sekretare e Komitetit Qendror, anëtare e Byrosë Politike, për më tepër kisha mbaruar edhe një universitet në Bashkimin Sovjetik etj. dhe prapë nuk kisha ç’bëja. Njësoj edhe të tjerët. Mora Ramiz Alinë, që ishte drejtor i Propagandës dhe u ulëm. Ishte shumë e vështirë që t’i shkurtoje, sepse artikujt kishin një strukturë që po të hiqje diçka, binte krejt artikulli, binte kuptimi. Ose hiqje një paragraf, por e njëjta ide ishte në paragrafët që vinin. I thashë Ramizit: “O Ramiz, unë do vetë që t’i them Enverit që këto nuk shkurtohen”. Ramizi më tha: “Ulu aty dhe hajt t’i shkurtojmë. A të tha Enveri se kanë vendosur t’i botojnë, e kanë ata përgjegjësinë”. Unë prapë po këmbëngulja që të shkoja, ndërsa Ramizi prapë nuk më linte e më thoshte: “Ulu”. Dhe kjo tregon natyrën e Ramiz Alisë.

Cilën natyrë të Ramiz Alisë?

Nga njëra anë, ai i kuptonte gjërat. Nuk ishte as i egër, i poshtër. Se po të ishte ndonjë tjetër, do të thoshte: “Le të vejë t’i thotë Enverit e të hajë kokën, unë do t’ia zë vendin”. Ndërsa Ramizi vazhdimisht më thoshte: “Ulu, ulu e mos shko”. Nga ana tjetër, ishte ajo që unë ia thashë: “Ore, po ne pse e bëmë shkollën. Ne duhet t’u themi shokëve që këto artikuj nuk janë në rregull”. Por kjo gjë për Ramiz Alinë nuk kishte rëndësi, në rregull apo jo në rregull. Kishte rëndësi që për vete të ishte në rregull e të mos rrezikohej. Por nuk donte që të rrezikohesha as unë. Pra Ramizit i erdhi keq edhe për mua. Nga njëra anë kishte të drejtë, ndërhyrja ime ishte e kotë se Enveri do të bënte atë që kishte në mendje. Por unë akoma tentoja, se ngaqë pata sukses dy herët e para, kujtova se Enveri do të më dëgjojë. Shkova prapë dhe atëherë Enveri më tha, duke i rënë tavolinës: “Mirë Liri, nuk do t’i botojmë artikujt”. Por edhe tani e kam parasysh shikimin e tij. Aty u vendos fati im. Enveri ka menduar: “Kjo, jo vetëm që nuk është dakord me qëndrimin që do të mbaj unë, por është e vendosur ta mbrojë qëndrimin e saj. Mua nuk më duhen pengesa, diskutime se kush ka të drejtë e kush jo, unë dua që kur të them se do bëhet diçka, të duartrokitet në këmbë”. Kështu siç ka menduar Enveri, edhe u bë, të gjithë janë çuar në këmbë duke duartrokitur çdo gjë që thoshte Enveri e duke miratuar: Rroftë Partia, rroftë shoku Enver!…

U botuan artikujt e kinezëve?

Jo, unë dola nga zyra e Enverit dhe artikujt nuk u botuan në gazetë. Më pas, unë u nisa me delegacionin parlamentar në Kinë, që kryesohej nga Haxhi Lleshi. Gjatë kësaj kohe, Enveri u mor vesh me Ambasadën Kineze dhe këto artikuj u botuan në një libër me kapak të kuq e portretin e vogël të Mahos, në mes të tij. U shpërndanë në parti, në rini, në universitete dhe u bë manipulimi i parë ideologjik. Duke qenë unë në Kinë, ditën që do të largoheshim nga Pekini e do të shkonim në Shangai, kinezët kërkuan në mbrëmje që të bënim takim si parti. Unë, duke e ditur se çfarë do të parashtronim kinezët, e evitova takimin se kështu isha porositur edhe nga Enveri: “Po të të thonë kinezët për mosmarrëveshjet e kritikat me sovjetikët, u thuaj që këto i zgjidhin dy të mëdhenjtë”, domethënë udhëheqësit. Unë i thashë atij funksionarit kinez që nuk më kujtohet emri tani: “Nuk kam autorizim që të bëj  bisedime partiake”.

Pse nuk i thatë siç ju porositi Enveri: “T’i zgjidhin dy të mëdhenjtë”?

Nuk mund t’i thosha fjalë për fjalë ashtu, sepse nuk isha e sigurt 100 për qind se çfarë do të shtronin për diskutim kinezët. Ai kinezi mund të ketë ardhur nja 6 herë, duke na kërkuar në takim. Më në fund, më tha që të shkonim për një çaj. Vajtëm ne. Ç’të shihnim? Tavolinat e mbledhjes ishin gati, me fletë e stilolaps. Ishte pothuajse gjithë Byroja Politike e Kinës.

Me kë ishit ju?

I gjithë delegacioni i kryesuar nga presidenti Haxhi Lleshi, isha unë, Lefter Goga nga Durrësi etj.

Çfarë ndodhi më pas?

Kinezët, që nga ora 8 e darkës që vajtëm ne dhe deri në ora 4 të mëngjesit, bënë kritika ndaj oportunizmit të Hrushovit dhe të Bashkimit Sovjetik. Mbledhja u hap nga Liu Shiao Ciu, ndërsa Mao Ce Duni ishte dërguar në një provincë dhe siç na tha ai i ambasadës sonë, pushtetin tashmë e kishte marrë Liu. Foli Liu, duke kritikuar Bashkimin Sovjetik, deri te romanet, filmat që nuk po e mbushin rininë me frymë ushtarake, por me frymë paqësore, me tërheqje, me shuarjen e frymës revolucionare. Konkluzioni ishte që “ne nuk shkojmë në mbledhjen e Bukureshtit” (që ishte caktuar me rastin e Kongresit të Partisë Komuniste Rumune, meqë do shkonin shumë delegacione të partive komuniste, të bëhej një mbledhje e përfaqësuesve të partive komuniste të kampit socialist).

“Nuk shkojmë në Bukuresht, se atje do na akuzojnë do na kritikojnë…”, sipas kinezëve. Unë u shqetësova, sepse mendova: “Po të mos venë kinezët në Bukuresht, do përsëritet historia si me Jugosllavinë. Do fillojnë të shajnë Kinën dhe përçarja është e paevitueshme”. U shqetësova nga kjo gjë. Thashë: “Këto që na thatë, do t’ia raportojmë të gjitha shokut Enver. Por po shfaq dhe opinionin tim personal: E mira është që gjërat të zgjidhen me diskutim, se kështu më kishte thënë edhe Enveri, mes dy partive të mëdha. E mira është që të shkoni në mbledhjen e Bukureshtit, se gjithmonë bisedimet ndihmojnë në sqarimin e gjërave”. Liu tha: “Ne nuk shkojmë në Bukuresht, por duam mendimin e shokut Enver për këtë gjë dhe si mendon ai për artikujt tanë”.

Pra nënteksti ishte, nëse Enveri ishte apo jo dakord me vijën kineze. Unë i thashë: “Kemi shumë vështirësi në komunikim, sepse nuk kemi lidhje direkte me Tiranën. Duhet që Ambasada jonë e Pekinit, të lidhet me Tiranën nëpërmjet Ambasadës shqiptare në Moskë”. U kthyem në shtëpi dhe i bëra shkurtimisht një radiogram Enverit, se çfarë kishte ndodhur, ndërsa raportin e detajuar ia dërgova me Jorgji Peqinin, se ajo do të nisej të nesërmen. Pra ne do iknim për në Shangai dhe ajo për në Shqipëri, sepse ishte me një delegacion rinie. Pa ikur nga Pekini, meqrnëse mbledhja e Bukureshtit do bëhej shpejt dhe kinezët thanë që “nuk do shkojmë”, derisa të vente radiogrami ynë në Tiranë dhe të kthehej përgjigjja, normal që do të vonohej, atëherë biseduam me Gogo Nushin, që ishte atje me delegacionin e Sindikatave e Bashkimeve Profesionale dhe me dy anëtarë byroje.

Unë i thashë Gogo Nushit: “More Gogo, po këta po të mos venë në mbledhje, do të bëhet si me Jugosllavinë”. Gogo i shkretë ishte shumë i ndershëm, ishte i revoltuar me kinezët dhe thoshte: “Këta janë banditë dhe duan luftën e tretë botërore. Të presim ambasadorin sovjetik dhe t’i themi që kinezët nuk duan të vijnë në mbledhjen e Bukureshtit, duke menduar që do të kritikohen. Atëherë ose i bindni që të vijnë, ose shtyjeni mbledhjen që të keni kohë më shumë për t’u marrë vesh me ta. Se Kina nuk është thjesht Jugosllavia, por është një kontinent që ka një influencë të madhe në ‘botën e tretë’, siç quhej atëherë”. Ashtu bëmë. Telefonuam në Ambasadën Sovjetike. Nuk erdhi ambasadori, por këshilltari i tij. Për ambasadorin na thanë se është i sëmurë.

Gjysmë ore, shkurt, unë tregova për takimin me Byronë Politike të Kinës, ndërsa Gogo për takimin me Sindikatat, se edhe atje ishte folur kundër Bashkimit Sovjetik. Propozimi ynë ishte ai që përmenda më sipër: “Ose kandisni kinezët, ose shtyjeni mbledhjen”. Të gjitha këto ia shkrova Enverit, pra asgjë e fshehtë, asnjë komplot. Ikëm nga Pekini e vajtëm në Shangai. Ndenjëm dy ditë në Shangai dhe kur do të iknim, madje sa do të niseshim, mbërriti Gogo Nushi dhe më dha radiogramin e Enverit, që kishte ardhur në ambasadën tonë dhe thoshte: “Thuaju kinezëve që të venë në Bukuresht. Thuaju kinezëve që jemi dakord me artikujt tuaj”. “Uaaaaa,- thashë unë, -more Gogo, shiko çfarë thotë Enveri!”. “Çfarë?”, tha Gogo, ndërsa pasi e pa, më sugjeroi: “E di çke ti? Mos u thuaj asgjë kinezëve, edhe unë i them Enverit që kur vajta unë në Shangai, Liria kishte ikur”. Mirëpo nuk e haja unë atë kokërr ulliri. Se në kritikën e parë që do t’i bënte Enveri – Gogos, Gogua duke bërë autokritikë të sinqertë, do të tregonte.

Duke ikur në aeroport me makinë, rrugës i thashë Gogos: “E gjeta Gogo se çfarë të bëj”. “Çfarë?”, tha Gogo. “T’u them kinezëve se shoku Enver mendon që të veni në Bukuresht, se kjo është kryesorja. Për artikujt, të pyesim ambasadën se mos e kanë zbardhur gabim”, i thashë Gogos. Gogo më tha: “Shumë mirë”. Atëherë unë i thashë sekretarit të Shangait, që ishte anëtar i Byrosë Politike: “Shoku Enver mendon se duhet të shkoni në Bukuresht”. Ai ishte një tip i gjatë, më përqafoi mua dhe goxha burrë u përlot duke më thënë: “Shumë mirë, shoqja Belishova, shumë mirë. Ne jemi vëllezër, si 10 gishtat nga të cilat 9 na bashkojnë dhe 1 na ndan”. Ikëm ne nga Shangai dhe pas 4 orësh vajtëm në Kumnin, në Jug të Kinës, afër Vietnamin. Atje kinezët më ndanë nga delegacioni dhe më morën veçmas me makinë. Ndoqëm një rrugë të shkurtër dhe shkuam në një shtëpi pritjeje. Atje më thanë se Ambasada jonë shqiptare në Pekin po më kërkonte në telefon që nga mëngjesi. Morëm Ambasadën në telefon dhe sekretari a këshilltari (nuk e mbaj mend mirë), më pyeti: “Ua the kinezëve telegramin që të dha shoku Gogo?”. “Po”, iu përgjigja unë. Ai shfryu nga ana tjetër e telefonit: “Oboooooo”. “Çfarë ke?”, e pyeta unë. “Ka ardhur telegram tjetër dhe thotë që kinezëve t’u themi pikën e parë, pikën e dytë mos ua thuaj”.

Domethënë pika e parë ishte ajo “shkoni në Bukuresht” dhe duhej thënë, pika e dytë “që jemi dakord me vijën tuaj si në artikuj” nuk duhet të thuhej. E qetësova atë të ambasadës: “Mos u tremb, se pikën e dytë nuk e kam thënë. Do t’ju pyesja ju më parë, se mos nuk e kishit zbardhur mirë, ndaj mos u shqetëso”. Tani, pas gjithë kësaj, nisi sulmi ndaj meje. Kritika e parë, pse u the sovjetikëve që kinezët nuk do të venë në Bukuresht? E dyta, ku e gjete ti të drejtën të mos zbatosh urdhrin e shokut Enver, mund të mos kishte ardhur radiogrami i dytë? Idiotësira që nuk u rezistojnë as logjikës së një fëmije së klasës së parë… Në vend që të më thoshin “bravo që nuk e transmetove”, më sulmonin se kam shkelur urdhrin e shokut Enver dhe disiplinën e Partisë.

Çfarë ju tha ballë për ballë Enveri, kur u kthyet nga Kina?

E takova, por Enveri nuk ma ngriti personalisht këtë çështjen e telegramit, nuk më tha asgjë të keqe kur e takova përballë, madje u ngrit nga tavolina dhe më përqafoi. Buzëqeshi dhe duke bërë humor më tha: “Obobo, sa paske ndryshuar”. Unë, duke e marrë si nëntekst, i thashë: “Nuk ndryshoj kaq kollaj unë, shoku Enver”. Qeshi sërish. Pak muaj më vonë e ngriti çështjen në Byro.

Mendoni se vërtet ishte në rregull Enveri me këto zhvillime në Kinë, apo thjesht “i kapërdiu” për momentin që t’i rihapte më vonë, apo e ka nxitur dikush tjetër për këtë çështje?

Enveri ishte tip që ndërronte. Por besoj se në këtë çështje mund të ketë influencuar edhe Mehmet Shehu. Se Mehmeti ishte më agresiv dhe i vendosur, Enveri ishte më i lëkundur.

Përderisa ishte Haxhi Lleshi president delegacioni, ndërsa për ngjarjen ishte në dijeni edhe Gogo Nushi, pse duhej që përgjegjësia të binte vetëm mbi ju?

Keni të drejtë. Unë u kritikova dhe u dënova në Byronë Politike. U bë mbledhja e Komitetit Qendror, veç unë u kritikova. Mbi 100 e ca pyetje që bënin anëtarët e Komitetit Qendror ndaj meje. Po pyetjet ishin diskutime, që ku të çon kjo vijë oportuniste-revizioniste e Liri Belishovës, kush ka qenë qëllimi i saj, ku synonte?

Çfarë nënkuptonin me këtë?

Unë isha sekretare e Komitetit Qendror dhe nënkuptonin sikur unë doja të bëhesha Enver Hoxha. Pra, që t’i jap përgjigje pyetjes suaj të fillimit, “faji im” ishte iluzioni i Enver Hoxhës, paranoja e tij, sikur unë doja që t’i zija vendin. Dhe këtë nuk e thoshin hapur, por me nënkuptime nëpërmjet diskutimeve, duke e pyetur vazhdimisht se ku e kisha qëllimin. Dhe ata do të kënaqeshin vetëm po t’u thosha unë se kisha qëllim të rrëzoja Enver Hoxhën dhe të bëhesha sekretarja e Përgjithshme, gjë që as e kisha çuar ndonjëherë nëpër mendje.

Po për Haxhi Lleshin, çfarë thanë?

Gjatë plenumit u ngrit Shefqet Peçi dhe tha: Mirë, kjo Liria ka gabuar. Pastaj pa nga unë dhe shtoi “me kunj” që ta kuptoja unë dhe të tjerët: Edhe Liria duhet të zërë mend, se gaboi, e do të vazhdojë të gabojë kjo, se është shumë e zgjuar (qesh). Shokë, Liria është shumë e zgjuar, të mbledhë mendjen se do gabojë prapë. Po atje në Kinë, veç Liria ishte? Po Haxhiu dhe Gogua, që janë më të mëdhenj se Liria, si për nga mosha, ashtu edhe në parti, po këta nuk kanë faj?”. Enver Hoxha shëtiste përmes tavolinave në formë U-je dhe në çast i tha Shefqetit: “Shumë mirë Shefqet, shumë mirë, ulu”. Dhe e uli direkt që Shefqeti të mos vazhdonte më. Enveri pastaj e drodhi muhabetin dhe tha: “Unë mendoj që shoku Haxhi dhe shoku Shefqet janë shokë të vjetër luftëtarë, por kanë një të metë të madhe, nuk i kanë dhënë rëndësi ngritjes kulturore dhe ideologjike”. Pra vetëm që nuk tha troç që “këta janë gomerë”. Pastaj vazhdoi: “Liria i merr gjërat me hundë. Propozoj që dy shokëve, Haxhiut dhe Gogos, t’u japim nga një vërejtje me shënim në biografi. Dakord shokë?”. Të gjithë në korr u përgjigjën: “Dakoooord”. Me kaq u mbyll puna e tyre. Se po të ishte vazhduar puna e tyre, do të dilte që Haxhi Lleshi i ra tavolinës kundra kinezëve që në takimin e parë. Gogo Nushi shante kinezët e thoshte që ishin kriminelë, pra do të dilnin të gjitha gjërat për ata.

Si ndiheshit kur merrnit kritika nga shokët tuaj?

Ja t’ju them diçka: Kur m’u sulën shokët ashtu në Byro, m’u kujtuan fjalët e Nako Spiros para vdekjes: M’u turrën si ujqërit. Atë mendoja. Një grua e re isha, vetëm 32 vjeçe….

Ç’masë mori Byroja ndaj jush?

Vendosën që të më përjashtojnë nga Byroja. Komiteti Qendror vendosi që të përjashtohem edhe nga Komiteti Qendror, kurse organizata bazë më përjashtoi edhe nga Partia. Kështu ishte orteku. Më pas u dërgova për të punuar si drejtoreshë në shkollën 7-vjeçare “Hasan Vogli” në Tiranë. Pastaj përjashtuan edhe burrin tim nga Komiteti Qendror dhe e hoqën si ministër të Bujqësisë, gjoja jo për arsye politike, por për “paaftësi”! Familjen tonë e kanë hequr nga Tirana më 9 nëntor të 1960, na dërguan në fermën “Muzo Asqeriu” afër Gjirokastrës. Mua si kryemësuese dhe atë drejtor fermë. Atje na përjashtuan nga Partia, pas dy muaj e ca na internuan në Kuç të Vlorës. Nga Kuçi na çuan në Progonat, atë e morën dhe e çuan në Zvërnec, kurse unë ndenja atje 10 vjet. Pas 10 vjetësh më prunë në Cërrik, ku kam ndenjur 21 vjet. Pra 31 vite në internim, që nuk di çfarë t’ju tregoj më parë…

Nga dashuria me Nako Spirun tek internimi, ndahet nga jeta Liri Belishova, komunistja që kundërshtoi Enverin

AFRIM IMAJ /Dje pasdite ndërroi jetë në një spital privat në Tiranë, në moshën 92-vjeçare, Liri Belishova, ish-anëtare e Byrosë Politike dhe Sekretare e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste

 

Belishova ishte e vetmja ndër liderët e regjimit komunist, që kërkoi ndjesë për krimet e diktaturës së instaluar në Shqipëri pas luftës, falë edhe kontributit të saj, si pjesë e lidershipit politik që e udhëhoqën vendin për vite me radhë.

Ajo i përqafoi idealet komuniste në moshën 14-vjeçare, kur u bë pjesë e lëvizjes antifashiste dhe bëri një karrierë të suksesshme politike deri në vitin 1960, kur u përjashtua nga Partia dhe funksionet e rëndësishme që mbante në krye të saj.

Jeta e Belishovës përshkohet nga një mori dramash, që nisin me vdekjen misterioze të të fejuarit Nako Spiro, në vitin 1946, i kryqëzuar nga Enver Hoxha si bashkëpunëtor i jugosllavëve, vijon me dënimin e bashkëshortit Maqo Çomo, ish-ministër i Bujqësisë dhe kulmon me kalvarin e persekutimit në kampet e internimit, ku humbi edhe vajzën, Drita Çomo, në moshën 20-vjeçare.

Liri Belishova u dënua nga forumet e larta të Partisë Komuniste për shkelje të vijës politike të partisë ndaj Hrushovit dhe qëndrimit të tij kundër krimeve dhe kultit të individit të Stalinit. Nga ky moment dhe deri në vitin 1991, ka përjetuar përndjekjen dhe represionin e egër si e dënuar politike.

Vitet në vijim i kaloi në shoqërinë e bashkëvuajtësve dhe miqve në Tiranë, larg zhurmës dhe protagonizmit politik e mediatik. Interesimit të gazetës “Panorama”, para disa muajsh, pranoi t’i përgjigjej vetëm për të sjellë një tablo njerëzore nga jeta e saj.

NGA BANKAT E INSTITUTIT “NËNA MBRETËRESHË”, NË BETEJAT PARTIZANE

“Kam qenë pa mbushur 14 vjeçe, kur shkova në mal partizane”, kujtonte jo pa krenari Belishova. Ajo tregonte se ishte gjendur në radhët e luftëtarëve bashkë me një grup shoqesh të institutit “Nëna Mbretëreshë”. Në betejat e luftës nisi dhe karrierën politike, fillimisht në radhët e drejtuesve të rinisë komuniste, ku, bashkë me Nako Spiron, u bënë dy drejtuesit kryesorë të Bashkimit të Rinisë Antifashiste shqiptare.

Në këtë rrugëtim, siç kujtonte Belishova, ishte kristalizuar dhe lidhja me Nakon, që nuk do zgjaste shumë. Sidoqoftë, puna me rininë dhe veprimtaria në krye të saj, do të shënjonin karrierën e mëvonshme si pjesë e lidershipit të Partisë Komuniste. “Nga lufta fitova shumë”, shprehej Liria kur fliste për aftësitë në fushën organizative e drejtuese, “Por aty humba edhe njërin sy”.

PËRPLASJA ME ENVERIN NË VITIN ’60 DHE DRAMA E BELISHOVËS

E vlerësuar për kontributin e spikatur në radhët e luftës dhe në krye të rinisë antifashiste, Belishova u zgjodh në organet më të larta të partisë, që në vitet e para të çlirimit të vendit. Bëri disa kualifikime brenda dhe jashtë Shqipërisë dhe për shumë vite me radhë ishte një nga zërat më të rëndësishëm forumeve partiake.

Në vitin 1960 shkoi në Kinë si pjesë e një delegacioni parlamentar të Republikës së Shqipërisë. Gjatë vizitës, aty u përball me divergjencat që kishin lindur mes PK të BS dhe PK kineze për një mori çështjesh ideologjike, të cilat kishin filluar të dominonin lëvizjen ndërkombëtare komuniste. Të tilla divergjenca shpaloseshin ndërkohë në një takim tjetër, siç ishte Konferenca Ndërkombëtarë e Partive Komuniste të vendeve të Traktatit të Varshavës, që zhvillohej në Bukuresht, ku delegacioni shqiptar kryesohej nga Hysni Kapo. “Ndërsa Hysni Kapua”, kujtonte Liria, “kishte kontakte të vazhdueshme me udhëheqjen e PPSH dhe Enverin, ne, për shkak të largësisë, nuk komunikonim rregullisht”.

“Kjo kishte sjellë dhe pështjellimet e para në Tiranë”, shpjegonte ajo. Zërat e parë kishin nisur të qarkullonin: Liri Belishova nuk po mbante qëndrimin e duhur revolucionar të PPSH. Ngjarjet perceptuan shpejt dhe Belishova u gjend ballë për ballë me Enver Hoxhën. Liri Belishova u vu në sy të ciklonit dhe u godit befasisht për oportunizëm, mungesë vigjilence dhe karrierizëm të shfrenuar, që shkonte deri në ambicien për ti zënë vendin Hoxhës, kjo edhe falë bekimit dhe simpatisë së Hrushovit dhe udhëheqësve sovjetikë.

PANORAMA

Fëmijët nga Turqia koncert në Tiranë

TIRANË – Orkestra Simfonike e Fëmijëve e Bashkisë Tepebaşı në Eskişehir të Turqisë ka mbajtur një koncert në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, me rastin e Ditës së Sovranitetit Kombëtar dhe Fëmijëve, që shënohet si festë kombëtare në Turqi.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Mirela Kumbaro, ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, zv.ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Petro Koçi, kryetari i bashkisë Tepebaşı, Ahmet Ataç, drejtori i Institutit “Yunus Emre” në Tiranë, Ömer Osman Demirbaş, etj.

Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Mirela Kumbaro, gjatë fjalës së saj përshëndetëse tha se dita e festës kombëtare të një vendi dhe një populli të madh, siç është populli turk, organizohet me të ardhmen e të dy vendeve, siç janë fëmijët.

Duke folur për figurën e Mustafa Kemal Ataturkut, Kumbaro tha: “Kemal Ataturku është një figurë e madhe për Turqinë, por pa dyshim është një figurë e jashtëzakonshme dhe një model qytetërimi dhe emancipimi për të gjithë rajonin, por edhe për ne shqiptarët. Përtej luftës që ai ka bërë, është i rëndësishëm mesazhi emancipues që ai jep, duke menduar për fëmijët. Është mesazh që jepet për kulturën dhe rastësistë nuk janë asnjëherë të rastësishme. Sot është dhe dita botërore e librit. Qofshim të bashkuar në emër të kulturës”, tha Kumbaro.

Në fjalën e tij në aktivitet, ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, tha se këtë vit menduan që fëmijët turq të vijnë në Shqipëri në këtë vend vëlla dhe ta festojnë bashkë me vëllezërit e tyre shqiptarë këtë festë.

“Dita e hapjes së Parlamentit, 23 prilli u shpall Dita e Sovranitetit Kombëtar dhe Festa e Fëmijëve. Meqenëse në këtë ditë u projektua e ardhmja e Turqisë, Mustafa Kemal Ataturku 23 prillin ua dhuroi si festë të ardhmes së Turqisë dhe të gjithë popujve, fëmijëve turq dhe të gjithë fëmijëve në botë. Në çdo 23 prill në Turqi, në mënyrë simbolike ua lëshojmë fëmijëve të gjitha kolltuqet zyrtare në të gjitha institucionet, në mënyrë që ata të mësohen që tani me drejtimin e shtetit. Ne 23 prillin gjithmonë e festojmë së bashku me fëmijët e ardhur nga vende të ndryshme nga të katërta anët e botës”, deklaroi ambasadori Yörük.

Në përfundim të fjalës së tij, Yörük tha: “Nga 1300 km larg nga Eskişehir ne sollëm për ju orkestrën simfonike të fëmijëve qe janë në një moshë të vogël, por që luajnë një art të madh”.

Koncerti i Orkestrës Simfonike të Fëmijëve “Dy duar kanë një zë” u organizua nga Ambasada e Turqisë në Tiranë në bashkëpunim me Institutin “Yunus Emre” në Tiranë, ndërsa pjesë e tij ishin qindra fëmijë, artdashës dhe qytetarë.

Orkestra ka interpretuar disa pjesë muzikore si “Happy Blues”, “Suitë për Orkestër”, “Pizicato Polka”, “Mrekullia” dhe “Sa i dua lulet”.

Senatori italian Casini: Ja kur futet Shqipëria në Bashkimin Evropian, çfarë i kërkohet…

Senatori Pier Ferdinando Casini, një politikan i shquar italian, i ftuar ne nje bashkebisedim ne UET, beri nje “parashikim”, kur tha se “më 2025 Bashkimi Europian mund të arrijë të përmbledhë 33 shtete, duke përmbushur fazën e dytë të Bashkimit Europian të nisur në fillim të shekullit XXI: jashtë Britania e Madhe, brenda Serbia, Mali i Zi, Maqedonia, Kosova, Shqipëria, Bosnje-Hercegovina”.

Sipas senatorit italian, “gjithmonë kam pasur bindjen se e ardhmja e Shqipërisë është në Europë dhe se shqiptarët – që ende e kanë të gjallë kujtimin e luftërave që përfunduan vetëm para pak vitesh – dinë ta mirëpresin deri në thelb vlerën e Bashkimit Europian, të kësaj aleance që lindi për të sjellë paqe e begati për vendet që ndër shekuj kanë luftuar.

Për këtë vend nuk ka alternativë tjetër për të ardhmen e tij europiane dhe se drita jeshile e Brukselit për çeljen e negociatave për anëtarësim, e datës 17 prill, përbën një rezultat të rëndësishëm për të cilin Italia ka punuar me vendosmëri Edhe pse Shqipëria ka bërë hapa të shumtë në këtë drejtim, sot i kërkohet që të vijojë përpjekjet e saj me energji të reja: duhet t’u përshtatet rregullave të përbashkëta dhe të gjejë prirjen e saj në kuadër të Bashkimit Europian duke u përpjekur që veçoritë e saj t’i adresojë brenda kufijve të pamatë të Europës së re.”.

“Europa që nuk beson më”- Pier Ferdinando Casini

 

“Nuk do ju flas për Italinë, por për Euroën dhe jo për Europën e djeshme apo të sotme, por për Europën e së nesërmes, për atë Europë që duam ta mendojmë, ta përgatisim dhe ta ndërtojmë”, po përdor disa shprehje të thëna gjatë një fjalimi në radio, në vitin 1952 ngaAlcide de Gasperi, pasi kujtimi i një prej etërve themelues të Europës duhet të na bëjë të gjithëve të lëmë mënjanë përpjekjet mazokiste dhe euroskeptike e të përqafojmë me bindje projektin e një Europe gjithmonë e më të fortë, gjithmonë e më të madhe e më pranë popujve europianë.

Sot nuk ka vend për ndalesa të forta e nuk mund të lëmë pas dore aspiratën legjitime teksa shohim të mirëpritur – pothuaj pas 70 vjetësh nga lindja e idesë politike të Europës – frytin e përpjekjeve, të sakrificave, të propozimeve të parashtruara nga etërit themelues, që ndër vite u pranuan dhe u kultivuan më tej nga klasat drejtuese europiane.

Debati mbi të ardhmen e Europës

Europës sot i duhet të përballet me sfida të reja e angazhuese. Kërcënimet që, në këtë moment historik, vënë në rrezik – për herë të parë që nga nënshkrimi i Traktatit të Romës – integritetin dhe stabilitetin e Bashkimit, në thelb janë dy llojesh.

I pari, ka karakter të jashtëm dhe është i lidhur me situatën e re gjeopolitike të botës: BE-ja është e kërcënuar nga Kina, Rusia dhe nga luftërat dhe nga terrorizmi në Lindjen e Mesme dhe në Afrikë, pro edhe nga administrata e re e ShBA-së që duket se po vë në diskutim shtatëdhjetë vitet e fundit të politikës së jashtme amerikane.

 

I dyti ka karakter të brendshëm dhe ka të bëjë më përparimin e ndjenjave kundër BE-së, nacionaliste dhe ksenofobe brenda vetë Unionit, të cilat e kërcënojnë nga brenda integrimin politik dhe vlerat themelore të demokracisë liberale. Marine Le Pen në Francë, Viktor Orban në Hungari, Geert Wilders në Holandë, Grillo e Salvini në Itali, sa për të përmendur disa.

Ideja për të bashkuar Europën mori udhë nga një këndvështrim edhe në një kontekst të luftës së ftohtë. Lindi si një përforcim i atij pakti mes vendeve perëndimore që, në mbrojtje të vlerave të përbashkëta, duhet të kufizonte kërcënimin sovjetik e të nxiste një zonë të tregut të lirë.

Mirëqenia ekonomike e pasluftës, rritja ekonomike dhe shoqërore si dhe ndërlidhjet mes kombeve, kanë qenë një mbështetje për atë që në një farë pike duket se ishte një proces i pakthyeshëm i destinuar për t’u realizuar plotësisht.

Ndjenja europiane konsolidohej te faktet, duke u shndërruar nga një aspiratë krejtësisht intelektuale që kishte lindur mes klasave të kulturuara europiane në një ndjenjë të masës.

Sot të gjitha këto kushte nuk janë më: bota nuk është më dypolëshe, ShBA duket se janë pak ët interesuara për Europën dhe si të tilla, kriza ekonomike dhe terrorizmi islamik e kanë dëmtuar ndjeshëm besimin dhe shpresën e popujve europianë.

 

Vetë institucionet europiane shpesh perceptohen s organizma burokratikë që më tepër janë të interesuar për të bërë ligje e rregulla sesa për të afirmuar një interes të përbashkët në emër të një ndjenje të përbashkët europiane.

Ligjërata pro Europës e Macron-it

Për këto arsye, fjalimi mbi të ardhmen e Europës së Emmanuel Macron-it (që u mbajt në sallën e Parlamentit Europian në Strasburg më 17 prill) u përqendrua pikërisht mbi nevojën e nxitjes së një sovraniteti të ri europiane: “Është i nevojshëm një sovranitet europian: të mbrosh idenë europiane nuk është të mbrosh një ide abstrakte, do të thotë të nisesh nga fakti se shërben një sovranitet më i fortë sesa ai aktual; kundrejt migracioneve, pasigurisë planetare, transformimeve mjedisore dhe shoqërore, ai do të bëjë të mundur që të japim përgjigjet e duhura”.

Macron e përvijoi qartazi rrezikun e madh të një “lufte civile” që po vërtitet në kontinentin tonë dhe parashtroi nevojën e rikrijimit ( e të mos e shkatërrojë sikurse e mbështesin lëvizjen euroskeptike) të një modeli që tashmë duket se përjeton një krizë të përhershme identiteti: “Nuk mund të bëjmë gjoja sikur jemi në një kohë normale, ekziston dyshimi që përshkon shumë prej vendeve tona europiane mbi Europën, po shfaqet një lloj lufte civile europiane; po dalin në pah egoizmat tona nacionale dhe ndjenjat anti-liberale”.

Për këtë qëllim, Macron shpalosi edhe një roadmap të përcaktuar qartë: “brenda përfundimit të legjislaturës duhet të arrijmë rezultate konkrete: një program europian për pritjen dhe integrimin e refugjatëve; një tatim afatshkurtër për digjitalen, në mënyrë që të ofrojë burimet e tij për buxhetin, reforma në unionin bankar dhe qëndrueshmëria e buxhetit; siguri e brendshme, fond europian për mbrojtjen. Ajo çka na mban së bashku është një kulturë, jo një monedhë”.

Çështja e zgjerimit

Shumë vende kanë shprehur dyshimin se një zgjerim i mëtejshëm i BE-së mund të sjellë më shumë rreziqe sesa përparësi për vetë Unionin. ( Vetë Macron e shprehu qartë se do të mbështesë “zgjerimin vetëm atëherë kur do të kemi një reformë të thellë të Europës sonë”).

Gjithsesi janë të shumtë ata – i pari ndër të tjerë kryetari i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker – që vijojnë të besojnë se e ardhmja e Europës mund të ndërtohet vetëm duke e plotësuar shtëpinë europiane, duke u ofruar vendeve të tjera “një perspektivë europiane të besueshme” që të mund të ndryshojë ndjenjat kolektive e të lartësojë aspiratën për të zhvilluar më tej integrimin europian.

Nëse Bashkimi Europian nuk do që interesat e tij të cenohen nga loja përça e sundo e fuqive të mëdha ( që mbështetjen e saj natyrale e gjen tek partitë nacionaliste anti-europiane), nevojitet në fakt që të provojë të shndërrohet ajo vetë në një fuqi të madhe.

Nga ana tjetër, shpërbërja e Bashkimit Europian nuk do të sillte rifitimin e sovranitetit të plotë të shteteve anëtare, por varësinë e tyre të vërtetë nga superfuqitë e tjera të mëdha ( ShBA, Rusi, Kinë).

Vendet europiane të marra veçmas janë të parëndësishme, vetëm bashkë mund të jenë plotësisht të pavarura. E pikërisht këtu qëndron fuqia e Bashkimit Europian: të mos kemi shumë politika aq sa janë edhe shtetet anëtare, por të kemi një të vetme, mjaftueshëm koherente sa për të përvijuar interesin e tij dhe për ta mbrojtur atë.

Sot, është më shumë se kurrë e nevojshme të besosh në një Europë sovrane, e aftë të imponojë vlerat e saj, interesat e saj të përbashkëta në rruzull për të kapërcyer sfidat qën a vë përpara një botë gjithnjë e më shumë e globalizuar: nga çështja e menaxhimit të prurjeve migratore tek e drejta për azil, nga mbrojtja e përbashkët tek qëndrueshmëria financiare e Eurozonës.

Ballkani

Ajo çka jemi sot, ajo çka po përpiqemi të ndërtojmë në të ardhmen e afërt është trashëgimi e një mendimi pjellor dhe e një veprimi të vendosur, që është mirëpritur duke tejkaluar kështu pritshmëritë fillestare e që ka mundur të zhvillohet më tej falë edhe ndryshimeve politike në dhjetëvjeçarët e fundit, si rrjedhojë e shpërbërjes së regjimeve totalitare të llojit sovjetik dhe afirmimit të modeleve të reja të marrëdhënieve ndërkombëtare.

Në këtë perspektivë nuk duhet të harrojmë që Ballkani ka qenë gjithmonë skenë e ngjarjeve të mëdha të cilat kanë shënuar historinë e kontinentit europian.

Pozicioni i veçantë strategjik, si urë mes Europës dhe Rusisë e mes Europës dhe Lindjes së Mesme, në fakt ndër shekuj e ka bërë këtë zonë të jetë një qendër e vërtetë nevralgjike e historisë europiane dhe e përballjes mes fuqive të çdo kontinenti. “një hapësirë që prodhon histori më shumë se ç’mund të konsumojë”, sipas Winston Churchill-it.

Në vitet ’90, rënia e Murit të Berlinit e për rrjedhojë shfaqja e entiteteve të mëdha multinacionale Bashkimi Sovjetik dhe Jugosllavia, regjistruan një drejtim të ri për integrimin e hapësirave boshe, duke u dhënë shkas kështu luftërave për shpërbërjen e Jugosllavisë, të cilat jo rastësisht ndodhën në kurriz të një tranzicioni të madh gjeopolitik.

Në këtë kontekst, mungesa e një aksioni politik konkret nga ana e Europës ( që në një farë mënyre e ndihmoi ndërhyrjen në këtë zonë të Shteteve të Bashkuara për arritjen e interesave të tyre strategjike) jo vetëm që ka penguar gjetjen e një zgjidhjeje por ka ushqyer kontrastet ekzistuese.

E gjithë kjo teksa Europa dhe komuniteti po përpiqeshin të krijonin një treg të përbashkët dhe të negocionin Traktatin e Maastricht-it, për krijimin e një Unioni ekonomiko-monetar.

Pra, kjo krizë jo vetëm që përbën një kërcënim për rendin europian që po krijohet por padyshim dhe një mundësi të munguar në të cilën Europa duhet të kishte treguar se ekzistonte dhe se dinte të vepronte si një fuqi e madhe.

Ndaj, edhe për këtë, sot Europa ka për detyrë ta integrojë këtë zonë përmes një strategjie zhvillimi dhe ndërlidhjeje rajonale që të krijojë një rrjet të konsoliduar infrastruktural në mënyrë që të lehtësojë dhe të rrisë shkëmbimin ekonomik dhe “kontaminimet” kulturore të nevojshme për zgjimin e ndjenjës së përkatësisë europiane, e domosdoshme për një bashkim politik të vërtetë e të strukturuar.

Për këtë qëllim është e rëndësishme të kujtojmë se nëse Europa dëshiron me të vërtetë të shohë Udhën e Mëndafshit si një objektiv strategjik, ndërtimi i urave mes dy brigjeve të Adriatikut duhet të kryhet sa më shpejt të jetë e mundur.

Pra, për këtë rajon që ende po lan hesapet me një histori shumë të afërt, formalisht mund të hapen shpejt dyert e integrimit europian. Më 2025 Bashkimi Europian mund të arrijë të përmbledhë 33 shtete, duke përmbushur fazën e dytë të Bashkimit Europian të nisur në fillim të shekullit XXI: jashtë Britania e Madhe, brenda Serbia, Mali i Zi, Maqedonia, Kosova, Shqipëria, Bosnje-Hercegovina.

Gjithmonë kam pasur bindjen se e ardhmja e Shqipërisë është në Europë dhe se shqiptarët – që ende e kanë të gjallë kujtimin e luftërave që përfunduan vetëm para pak vitesh – dinë ta mirëpresin deri në thelb vlerën e Bashkimit Europian, të kësaj aleance që lindi për të sjellë paqe e begati për vendet që ndër shekuj kanë luftuar.

Për këtë vend nuk ka alternativë tjetër për të ardhmen e tij europiane dhe se drita jeshile e Brukselit për çeljen e negociatave për anëtarësim, e datës 17 prill, përbën një rezultat të rëndësishëm për të cilin Italia ka punuar me vendosmëri.

Edhe pse Shqipëria ka bërë hapa të shumtë në këtë drejtim, sot i kërkohet që të vijojë përpjekjet e saj me energji të reja: duhet t’u përshtatet rregullave të përbashkëta dhe të gjejë prirjen e saj në kuadër të Bashkimit Europian duke u përpjekur që veçoritë e saj t’i adresojë brenda kufijve të pamatë të Europës së re.

Por, pikërisht perspektiva e të qeni pjesë e një projekti të madh europian do të bëjë të mundur që të shohë me më shumë optimizëm mundësitë për stabilizimin, zhvillimin e vendit dhe qasjen në përputhje me standardet për funksionimin e institucioneve, të burokracisë dhe të tregjeve.

Edhe ne italianëve na është dashur që ndër vite të përballemi me sakrifica të mëdha, por këto sakrifica janë pranuar me vetëdijen se do ta bënin më të lehtë hopin cilësor, aq të nevojshëm për të qenë protagonistë në kontekstin europian.

Dhe sot Italia është një motor themelor për zhvillimin e Europës, pavarësisht se edhe këtu kanë gjetur hapësirë frikërat dhe dyshimet euroskeptike të cilat si edhe në vende të tjera europiane, kanë karakterizuar qëndrimet e opinionit publik si edhe kanë favorizuar lindjen e lëvizjeve thellësisht kundër organizmave komunitare, në dobi të lëvizjeve lokaliste apo të frymëzuara nga një nacionalizëm ekstrem

Dokument: Si fitoi kompania e nipit të deputetit të PS-së, 13 miliardë lekë tendera

JUXHIN MUSTAFARAJ – Kompania e nipit të deputetit të Partisë Socialiste, Sadri Abazi, ka fituar 13.4 miliardë lekë ose 12.8 milionë dollarë vetëm gjatë viteve 2016-2017 nga tenderat e 7 bashkive. Kompania quhet “AlkoImpex General Construcion SHPK” dhe sipas të dhënave të “Open Data Albania” ka garuar në 19 procedura tenderimi dhe ka arritur të fitojë 17 tendera.

“Alko Impex” ka si administrator Arbër Abazin, nipin e deputetit socialist Sadri Abazi. Sipas të dhënave zyrtare të Qendrës Kombëtare të Biznesit, kompania është regjistruar që në vitin 2008 dhe në vitin 2017 ka vendosur të largojë administratorin e saj. “Më datë 04.04.2017 është vendosur largimi i administratorit Ervis Toska”, thuhet në dokumentet e QKB-së.

Pas Ervis Toskës, kompania ka zgjedhur si administrator Arbër Abazin. Kontratat më të mëdha kompania “Alko-Impex” i ka fituar me Bashkinë e Tiranës, kryesisht në ofrimin e shërbimeve të pastrimit të kryeqytetit. Vetëm nga kontratat me Bashkinë e Tiranës, sipas të dhënave të “Open Data Albania”, firma e nipit të Sadri Abaziut ka fituar 8.7 milionë dollarë për “Shërbimi i Pastrimit të Zonës Tirana III”.

Kompania në fjalë ka fituar katër tendera në Bashkinë e Librazhdit me një vlerë totale prej rreth 683 mijë dollarësh. Për tenderin e pastrimit të qytetit të Librazhdit, kjo firmë ka fituar 51 mijë dollarë dhe kontrata është lidhur më datë 27.10.2017. Ndërkohë që ka marrë dhe tendera të tjerë, si “Mirëmbajtje të objekteve të Arsimit, Kulturës, riparime, lyerje, mirëmbajtje të ndryshme”.

Përballë “Alko-Impex” garonin 4 kompani të tjera, por nuk e kanë fituar tenderin, e cila arrinte vlerën e rreth 18.9 mijë dollarësh për një kontratë 20-ditore pune. Kompania ka fituar një tjetër tender katërvjeçar po në Librazhd për “Shërbimin e pastrimit të Bashkisë Librazhd – Financuar nga të ardhurat e Bashkisë Librazhd”. Nga kjo kontratë, firma e nipit të deputetit ka përfituar një total prej 463 mijë dollarësh.

Kontrata tjetër është firmosur në vitin 2015 dhe firma në fjalë ka  përfituar 35.7 mijë dollarë për “Shërbimin dhe mirëmbajtjen e objekteve të arsimit për njësitë administrative”. Po ashtu kjo kompani ka fituar tenderat edhe në Bashkinë e Devollit, “Shërbimi i pastrimit të territorit të Bashkisë Devoll dhe institucione në varësi të saj”. Edhe nga Bashkia Devoll kompania “AlkoImpex” ka fituar 42.9 mijë dollarë për shërbimin e pastrimit.

Në Bashkinë e Pukës, firma e nipit të deputetit ka fituar tenderin për “Sistemimi i lagjes pas Pallatit të Kulturës, Bashkia Pukë – Buxheti i Shtetit (Fondi i Zhvillimit të Rajoneve)”, me një vlerë totale prej 218 mijë dollarësh. Tri kontrata janë fituar në Bashkinë e Devollit, me një vlerë totale prej 575 mijë dollarësh. Ndërkohë që në Bashkinë e Dibrës, kompania e nipit të deputetit të PS-së, ka fituar 2.9 milionë dollarë.

Kjo kompani ka fituar tenderin për rinovimin e bulevardit “Elez Isufi”, rrugës “Safet Zhulali” dhe rrugës së Muzeut. Po ashtu në Dibër ka fituar punimet për përmirësimin e infrastrukturës vendore dhe rivitalizimin e hapësirës publike në zonën pranë Pallatit të Kulturës. Po nga paratë e buxhetit të shtetit, “Alke-Impex” ka fituar dhe tenderin për “Ndërtimi i shkollës së mesme të përgjithshme, Maqellare”. Kjo firmë ka fituar tenderat edhe në Bashkinë e Kavajës në vitin 2016 dhe në Bashkinë e Peqinit.

PANORAMA

Kush ishte 34 vjeçari i mbytur në Vlorë, ish punonjës në televizionet shqiptare

Policia njoftoi vdekjen e tij tragjike në shpellën e Haxhi Aliut në Karaburun.

34 vjeçari që humbi jetën këtë të dielë në Vlorë është Armand Hallvaxhiu, banues në Tiranë dhe një person i apasionuar pas detit, zhytjes e peshkimit.

Hallvaxhiu njihet nga media, pasi ai vetë ka punuar për shumë vite si kameraman në disa prej televizioneve të vendit, përfshi këtu Neës23 dhe Agon Channel.

Arsyeja apo mënyra sesi Hallvaxhiu ka gjetur vdekjen mbetet ende një mister. Trupi i të riut është transportuar tashmë në morgun e qytetit të Vlorës, dhe do të jetë autopsia ajo që do të japë përgjigjet përfundimtare. Mësohet se Hallvaxhiu së bashku me një grup miqsh kanë qenë në Vlorë për të peshkuar. Hallvaxhiu është zhytur në zonën e shpellës në Karaburun, e për pasojë ka gjetur vdekjen.

A e ka dëmtuar kriza e Nobelit Ismail Kadarenë? – Nga Ben Andoni


Ndër gjashtë kategoritë e çmimit “Nobel”, triumfi i personazhit që lidhet me Letërsinë vjen i dyti menjëherë pas Çmimit të “Paqes”, në atë që konsiderohet si prestigj për vendet por edhe që është menjëherë temë e diskutimit të gjerë botëror.
Lista e atyre që nuk e kanë fituar por që me famën e tyre e kanë kaluar Nobelin është e shumtë. Veç Borhesit të madh shtojmë Tolstojn, Çehovin, Gorkin, Ibsenin, Strindbergun, Zolan, Proustin, Kafkën, Rilken, Brehtin, Kroçen, Hardin, Henry Xheimsin, Mark Tuein, Xhosef Konradin, Xheims Xhois, D. J. Lorenc, Garsía Lorka etj.
Shkrimtari shqiptar Ismail Kadare mund të quhet më fatkeqi i tre dekadave të fundit në radhën e gjatë të mëtonjësve të letërsisë së Nobelit, që nuk arriti ta merrte çmimin e madh. Mundësia më e madhe për të dukej fundi i viteve ’80 dhe fillimi i viteve ’90, kur ai bëri një akt civil të admirueshëm duke e braktisur regjimin, por edhe se vepra e tij asokohe gjendej në apogjeun e saj sa i përket njohjes ndërkombëtare. Siç ndodh sot në Shqipëri, ende sot debatohet, jo pak herë fyhet, por shkrimtari në mënyrën e vet bëri zgjidhjen e tij, që e lehtësoi disi nga makthi tranzitor i vendit dhe mllefi i akumuluar në dekada. Ai siguroi një largim, që e ruajti nga ajo periudhë krize në Shqipëri por edhe që i dha mundësinë që këtë herë të fliste pa ekuivoke për letërsinë dhe vendin e tij.
Duhet të sqarojmë një fakt: Deri atëherë, Kadareja ishte druajtur jo pak nga regjimi (Desidenca në Shqipëri matej me kokë dhe ai asnjëherë nuk e bëri këtë), por e bëri ndryshe detyrën për popullin e tij. Ai i fali Shqipërisë një letërsi shumë cilësore, që mund të konsiderohej e barazvlefshme me letërsinë më të mirë të kohës, rroku tema interesante, paçka se shumë syresh kishin grishur dhe kolegë të tij ballkanas; eksperimentoi në formë; në format stilistikore dhe përcolli një Shqipëri krejt të panjohur jo vetëm për publikun e huaj por edhe ata vendas. Hera e dytë ishte në periudhën e luftës së Kosovës kur faktori shqiptar tronditi botën dhe NATO, Aleanca më e madhe ushtarake, u investua për të drejtën e shqiptarëve e Jugosllavisë. Në të dy rastet, Kadare ishte shumë afër Çmimit të madh por nuk u mor parasysh për zhgënjimin e madh të admiruesve të letërsisë së tij, por edhe dy vendeve që e shtynë shumë kandidaturën e tij. E para, Franca e shtyu gati institucionalisht dhe me të gjitha burimet e saj; kurse Shqipëria megjithë admirimin, jo pak herë, u mundua t’i verë pengesë me vogëlsinë karakteristike të mllefit ballkanik. Shkrimtari asokohe dhuroi një nga esetë më të bukura për shqiptarët, që tregonte udhëkryqin e tyre, por edhe sfidat që po përballte dhe që duhej të krijonte për mbijetesën e identitetit.
Në të gjitha rastet, Ismail Kadare mbeti me më shumë me probleme me debatet boshe që u hapën prej vendasve të tij dhe burimet që e anatemuan sesa me faktorin e jashtëm, që e pati më të lehtë ta shmangte.
Një kohë tjetër
Gjithsesi, për ta që i kanë mëshuar shumë faktorit të brendshëm si një nga arsyet kryesore të mos marrjes së Nobelit, tashmë duhet të lehtësohen disi në kuptimin relativ.
Kadareja është një nga fatkeqët jo të pakët të kapriçove të Nobelit dhe aparatçikëve suedezë, që kanë pasur në dorë një strukturë të tillë për të akorduar Çmimin.
Dhe, sot, kur Akademia Suedeze ndan prej 100 vjetësh çmimin Nobel për Letërsi, kemi një realitet krejt anormal. Pas skandaleve të fundit, ku kanë dhënë dorëheqjen shumë anëtarë, ajo ka nevojë më shumë se një reformë për kthimin e besimit në publik dhe sidomos në respektin e botës së madhe të letrave. Çmimet e fundit të akorduar prej saj jo thjesht e kanë lëkundur besimin ndër të, porse ka qenë e pamundur të lenë ndonjë peshë në publik. Të paktën , tre fituesit e fundit të Nobelit, megjithë arritjen e tyre, janë tejet larg talentit të Kadaresë, por edhe peshës dhe forcës së tij për të treguar anatomi të një strukture ndërbotërore si komunizmi, pikërisht nga brenda vetes.
Duhet të sqarojmë se dorëheqjet e anëtarëve kanë qenë zinxhir. Mes të parave vijoi ditët e fundit me anëtaren e Akademisë Katarina Frostenson që ka marrë pjesë në vendimet për dhënie subvencionesh për shoqatën kulturore të bashkëshortit të saj dhe që është zbuluar se i ka bërë të njohur shumë kohë para emrat e shtatë laureatëve të çmimit Nobel. Pas saj kanë dhënë dorëheqje dhe tre anëtarë dhe në fund ka qenë e detyruar të dorëhiqet edhe kryetarja e akademisë Sara Danius. Pra, janë njëmbëdhjetë anëtarë të mbetur, shumë pak për të bërë kuorumin e domosdoshëm për NOBEL.
Gjithnjë publiku është mësuar që kumti që del pas derës të komisionit “Nobel” që e përbëjnë shkrimtarë, studiues të letërsisë dhe të gjuhësisë si dhe nga historianë, është okult dhe askush nuk ndërhyn, por realitetet treguan se gjithçka ka qenë e ditur qysh më parë. Duket se Familja Mbretërore Suedeze duhet ta menaxhojë qartë dhe njëherë statusin e këtij organizimi, që me sa shikohet do e ketë të vështirë pas skandaleve të japë verdiktin për Çmimin Nobel për Letërsi për vitin 2018.

Dhe, Kadare është një nga ata shkrimtarë që vërtetë e meriton këtë vlerësim. Paçka se deri më sot ka rrëmbyer pothuaj të gjithë çmimet më të nderuara në botë falë krijimtarisë së tij të jashtëzakonshme. Është koha që ai dhe vepra e tij të mbështeten fuqimisht. Të paktën Shqipëria zyrtare duhet që ta bëjë e para pa asnjë kompromis dhe me të gjithë forcën e saj.
Çmimi “Nobel” për Letërsinë ka qenë një çmim që kalon edhe vetë këtë fushë, sepse ai është dukur shpesh edhe si një lloj konjukture politike. Vepra e Kadaresë me pikëvështrimet e saj e nderon vetë titullin dhe i rivendos pak nga pak atë stabilitet të rënë, që tashmë duhet marrë parasysh sepse është një nga institucionet e fundit, që ka tradhtuar besimin e njerëzve në të.

Brukseli nuk ka vend për Pëllumb Xhufat… – Nga Sulejman GJANA

 

Para disa ditësh, Komuna e Skarbekut në Bruksel lajmëroi mbajtjen më 23 prill (të hënën), të një konference kushtuar Skënderbeut, me rastin e 550-vjetorit të vdekjes së Heroit tonë kombëtar.

Në lajmërimin dhe ftesat e shpërndara bëhej me dije se ky aktivitet organizohej me mbështetjen e Ambasadës së Shqipërisë në Belgjikë dhe se konferencierët-panelistë të përzgjedhur nga ambasada do të ishin zotërinjtë Pëllumb Xhufi, Lek Pervizi e Safet Kryemadhi.

I kam lexuar me endje e i kam vlerësuar veprat dhe studimet e prof. Pëllumb Xhufit për historinë e vendit tonë në Mesjetë. Në mënyrë të veçantë kam vlerësuar qëndrimet dhe mbrojtjen që ai i bën si rrallëkush në Shqipëri çështjes Çame dhe interesit kombëtar në raport me fqinjët tanë jugorë. Ndaj jam trishtuar shpesh kur ai prej 2 dekadash është pozicionuar hapur si mbrojtës fanatik i historiografisë komuniste lidhur me LDB dhe po aq shpesh edhe si relativizues, justifikues e deri si mohues kokëfortë i krimeve të komunizimit që datojnë qysh nga themelimi i PKSH e deri në ditën e mbrame të diktaturës.

Veçanërisht debati që ai ka nisur, nxitur dhe vazhduar lidhur me kampin famëkeq të Tepelenës dhe krimet e konsumuara aty nga xhelatët komunistë, e ka pozicionuar Xhufin si apologjet të krimeve monstruoze dhe i gjakatarëve në fjalë, duke kompromentuar rëndë figurën e tij morale si historian dhe intelektual me profil të lartë, që guxon të injorojë, të shtrembërojë e të flakë deri edhe parimet e të vërtetat faktologjike.

Pikërisht në këtë kontekst dhe në kulmin e emocioneve që kanë shkaktuar qëndrimet dhe deklaratat e tij, ishte tejet sfiduese dhe arrogante përzgjedhja nga Tirana zyrtare e Xhufit si panelisti kryesor i konferencës së lartpërmendur, ku ky apologjet profesionist dhe pasionant do të referonte bash para ish viktimave të mbijetuar të krimeve e torturave të diktaturës dhe bijve të mërgatës antikomuniste të Brukselit.

Bijtë e kësaj mërgate, lindur dhe rritur në demokraci, madje në mes të kryeqytetit zyrtar të Europës ku duam ta integrojmë Shqipërinë, janë edukuar që të bashkëjetojnë me të ndryshmin dhe kundërshtarin e ideve. Ndaj ata që përkundën e përkundin djepat e bijve të tyre duke mëkuar e derdhur atdhedashuri por edhe urrejtje për sllavokomunizmin, në kushte normale do ta pranonin si panelist Xhufin edhepse ky, në shtëpinë e tij, prej dekadash përkundi dhe ende përkund djepat e stërnipave të Enver Hoxhës. Do të pranonin të bashkëbisedonin me medievalistin e shquar Xhufi për: çështjen tonë kombëtare të pazgjidhur; për autoktoninë antiko-mesjetare në trojet tona etnike; për të drejtat kombëtare e pronësore të mohuara në Greqi; për marrëveshjen e detit; për Zajednicën; për të drejtat kombëtare, njerëzore e pronësore të mohuara e të cunguara në pjesën veriore të Mitrovicës, në Maqedoni, Malin e Zi, Metohi, Sanxhak, në Luginë e në mbarë Serbinë.

Sikur “këpucari” të qëndronte tek “këpuca”, sikurse këshilloi Napoleoni, do të pranonim të bashkëbisedonim me të për Skënderbe-Heroin e përbashkët, të cilit me fondet e grumbulluara anembanë botës nga emigracioni i vjetër antikomunist dhe peshën politike të merituar ia ngritëm përmendoren në mes të Brukselit 50 vjet më parë, bash në komunën e Skarbekut, në jubileun e 500-vjetorit të vdekjes.

Sikur të mos na lëndonte aq shumë, do të pranonim ta dëgjonim e të mos ia përmendnim akademikut Xhufi synimin e heshtur të Enverit për të na zhbërë nga shqiptarësia nëpërmjet shkombëtarizimit gradual me ndihmën e kohës, harresës së programuar e asaj biologjike, multikulturalizmit mbytës metropolitan dhe globalizmit asgjësues të identiteteve kombëtare.

Natyrisht që apologjetit akademik, prej finikërie e jo prej tute, nuk do t’ia ndërmendnim faktin se nga pasuritë e konfiskuara në atdhe pas LDB nga lufta e klasave dhe nga fitimet kolosale prej punës së papaguar në kampe e burgje, deri në “kursimet” shtazarake të ushqimit dhe kushteve të “jetesës”, Enveri dhe regjimi i tij nuk kursyen asnjë shpenzim për asgjësimin sitematik të nacionalistëve antikomunistë që përbënin dhe përbejnë shtresën e shëndoshtë të ish-të përndjekurve dhe burgosurve politikë; shtresë në të cilën emigracioni i vjetër politik e ka identifikuar dhe e identifikon vetvetën si pjesë e pandarë e saj.

Çuditërisht dhe me shkujdesje të habitshme, me aktivitetin e programuar Tirana zyrtare sërish e sfidoi dhe e ofendoi mërgatën antikomuniste që jeton prej dekadash në Bruksel teksa bash pa u shuar debati ngjethës, i vendosi Pëllumb Xhufit në krah një ish-të përndjekur si Lek Pervizi (?). Dhe për këtë u sajua kjo tribunë në Bruksel, prej ku akademikut do t’i jepej mundësia për t’u kumtuar të gjithë kundërshtarëve të vet në Shqipëri se “mua më njeh Brukseli dhe nuk pyes për ju”, se “ju jeni fanatikë të pandreqshëm”, se “në krah më rri nëpër konferenca një ish-i internuar i kampit të Tepelenës dhe ai nuk ka asnjë problem me mua, pasi e di që nuk gënjej”, etj., etj..

Mirëpo, me sa duket, qeveria shqiptare (që ende i përdor ambasadat për llogari politike) i kishte bërë hesapet pa hanxhinë, teksa harroi se Europa demokratike është ndërtuar edhe mbi bazën e vlerave e parimeve më të larta morale e njerëzore. Dhe si një prej parimeve të tilla të shenjta spikat injorimi i negacionistëve të vuajtjeve të komuniteteve, racave e popullsive të pafajshme, krahas injorimit të të pa-penduarve, apologjetëve të diktaturave dhe glorifikuesve të krimeve e kriminelëve.

Fatkeqësisht, në Shqipëri këto kategori individësh vazhdojnë të vlerësohen. Dhe kjo ndodh jo vetëm sepse trashëgimia komuniste është akoma e fortë (dikush mund të thotë se gjithçka ka qenë e planifikuar me “Katovicën” për të mbërritur në këtë ditë), por sepse morali dhe etika janë nocione të pakuptimta për shumëkënd…, por edhe ngaqë vlerat dhe parimet europiane konsiderohen ende si të huaja nga politikanët dhe aparaçikët tanë të djeshëm e të sotëm.

Mbi të gjitha ky zvetënim i frikshëm moral ndodh sepse pas ’90-ës sistemi i ndërtuar mbi “rrënojat” e komunizimit ka prodhuar një politikë monstruoze me dy fytyra, që ka jetësuar realitetin absurd ku viktimat dëmshpërblehen dhe xhelatët jetojnë të lirë, mbajnë titujt, dekoratat dhe madje edhe hierarkohen në administratë, krahas lejimit të glorifikimit të veprës së tyre gjakatare dhe mohimit të krimeve nën diktaturë. Sintetizuar të gjitha këto në sloganin “bashkëvuajtës-bashkëfajtor”.

Mirëpo për fat të mirë, gjërat funksionojnë ndryshe jashtë “bahçes me lule”.

Në vendet e qytetëruara, parimet janë parime, krimet janë krime dhe mohuesit e krimeve e glorifikuesit e xhelatëve nuk kanë vend.

Në Europë, për shembull, edhe pse shkrimtari francez Seline (Louis-Ferdinand Céline) është pa dyshim një prej autorëve më novatorë të letërsisë franceze të shek. XX, ai nuk studiohet nëpër gjimnaze sepse, ndonëse ishte antikomunist i thekur, ishte edhe antisemit dhe apologjet i holokaustit ndaj jahudive.

E njëjta gjë vlen në SHBA për kineastin 85-vjeçar Roman Polanski, që u arratis në vitin 1977 prej vendit vet, ku nuk mund të shkelë më pa u dënuar për krimet prej pedofili, pavarësisht se është një prej kineastëve bashkëkohorë më të vlerësuar.

“Bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë!”? Kurrën e kurrës…

“Kur të gjithë janë fajtorë, askush nuk është më i tillë”, – thotë Hana Arendt. Sipas saj, “nuk ka fajësi kolektive apo pafajësi kolektive. Fajësia dhe pafajësia kanë kuptim vetëm nëqoftëse u personalizohen dhe u mveshen individëve…”.

“Pranimi spontan i përgjegjësisë kolektive – shkruan Arendt – dëshmon një konfuzion moral mjaft të rrezikshëm, që fatkeqësisht vërehet në shoqëritë post-totalitare”.

E si mund të ketë përgjegjësi kolektive nëse pranojmë a priori mekanizmin tmerrues të krimit gjenocidal që Arendt na zbulon, teksa thekson: “Nyja morale e krimeve monstruoze konsistonte në urdhëresën: Ti do të vrasësh jo armikun tënd, por njerëz të pafajshëm, që as potencialisht nuk ishin të rrezikshëm, dhe do t’i vrasësh jo nga domosdoshmëria…”.

Diktaturat kudo ku u jetësuan, përfshirë edhe Shqipërinë, duhet të konsiderohen si më i madhi rrezik, që kërcënon me rrënim total jo vetëm entitetin tonë politik, por edhe mbijetesën shpirtërore dhe substancën tonë morale. Këto sisteme çnjerëzore bazohen mbi shkërmoqjen e hallkave jetike që e lidhin njeriun me disa pika reference morale.

Hajdegeri na mëson se “Diktaturat kanë vetëm një armik: vetë Lirinë…, domethënë të Vërtetën, akademizmin, universitetet, vendet e kërkimit të lirë, artet dhe letërsinë, pasi ato na bëjnë të depërtojmë në trojet e panjohura të shpirtit, ku gjithçka që është eksperiencë, gjithçka që piqet përmes përsosjes intelektuale, tek çdo qenie njerëzore na udhëheq kah ndërgjegjia për të qenë vetvetja”.

Ndaj jo më kot Hitleri deklaronte se do t’i largonte njerëzit nga ajo humnerë që quhet ndërgjegje.

Hegeli kishte të drejtë kur shkruante se “një komunitet politik nuk mund të ndërtohet pa krijuar më parë një komunitet moral”.

Monteskjë kërkonte krijimin doemos të qytetarit në gjirin e njerëzve dhe kishte të drejtë kur shkruante se “Njeriu mund të vdesë një ditë, por qytetari duhet të mbetet dhe doemos do të mbetet”.

Tashmë, në pasdiktaturë, ne shqiptarët duhet të krijojmë institucionin e Drejtësisë bazuar mbi “Të Drejtën” dhe “Lirinë”, sepse drejtësia është e lidhur pazgjidhshmërisht me lirinë.

“Një popull që nuk arrin të bashkojë Lirinë me Drejtësinë është i humbur në gjithçka”, – shkruante Kamy.

Niçja na mëson se: “Njeriu ka nevojë ta shikojë historinë në mënyrën kritike, dhe ta vendosë atë (pra historinë) nën drejtësinë”.

Nëse pranojmë se historia është historia e njerëzimit dhe se nuk është tjetër veçse turravrapi i tij drejt lirisë (Hegeli)… nëse pranojmë edhe se veprimet e sjelljet janë forma e jashtme e moralit, – natyrshëm arrijmë në përfundimin se edhe demokracia ka nevojë dhe nuk mund të kuptohet pa moralin dhe moralizimin.

Kishin të drejtë filozofët grekë kur nënvizonin se Demokracia është ballafaqim të kundërtash dhe debat i përditshëm, teksa krahas Qytetit-(polis) ekziston edhe Konflikti-(Polemos), çka gjithashtu i jep të drejtë Kroçes kur shkruan se: Moraliteti nuk është tjetër veçse lufta kundër të Keqes…

Prandaj, për t’i qëndruar besnik vlerave dhe parimeve tona të larta morale e qytetare, ne djemtë e mërgatës antikomuniste të Belgjikës bëmë të mundur që Komuna e Skarbekut në Bruksel të anullojë konferencën e planifikuar me datë 23 prill, ku Pëllumb Xhufi nuk është i pranueshëm as prej nesh as prej zyrtarëve vendas që mishërojnë pikërisht vlera dhe parime, pavarësisht se unë personalisht vazhdoj ta vlerësoj atë për kontributet prej historiani mesjetar dhe si një mbrojtës i mirë i çështjes Çame.

Sepse në fundore kujtojmë se edhe shejtani ishte i zgjuar, i ditur dhe adhurues i madh por Zoti e mallkoi dhe e bëri lahnet për shkak të mohimit që ai i bëri të vërtetës si dhe për shkak të mendjemadhësisë dhe arrogancës vet.

 

Hajdarmataj: Prokurorët janë të pasigurt, kjo është arsyeja e zvarritjeve të hetimeve

Raporti i në vite punë të Krimeve të Rënda është paraqitur pranë prokurorisë së Përgjithshme, ku flitet edhe për afatet e e hetimeve.

Kreu i prokurorisë, Besim Hajdarmataj, në raportin drejtuar kryeprokurores Arta Marku, vëren se prokurorët, për shkak të reformës në drejtësi, kanë qenë të pasigurt dhe kjo ka ndikuar në performancën e punës së tyre.

Sipas tij, zvarritja e hetimeve ka ardhur dhe si pasojë e lëvizjeve në detyrë të oficerëve të shërbimeve të policisë gjyqësore, në policinë e shtetit, ku gjatë vitit 2017 disa sektor në DPP Shtetit dhe në policitë vendore kanë ndryshuar tërësisht, duke i lënë procedimet në fazat më delikate të hetimeve të ndjekura për periudha të gjata kohe dhe me hetime proaktive.

JA NJË PJESË E RAPORTIT

Shpejtësia në përfundimin e hetimeve nuk ka qënë një tregues i mirë, referuar ngarkesës dhe rezultatit të çështjeve të përfunduara dhe hetuara nga secili prokuror dhe oficer i policisë gjyqësore i seksioneve në prokurori dhe i shërbimeve të policisë gjyqësore.

Pothuajse pjesa më e madhe e procedimeve në hetim ka përfunduar pas një zgjatje afati të hetimeve dhe disa të tjera janë zgjatur deri në afatet maksimale të hetimit duke pasur dhe raste të zgjatjes së afateve të paraburgimit.

Disa nga arsyet e tjera që ndikojnë në zvarritjen e hetimeve, janë levizjet në detyrë të oficerëve të shërbimeve të policisë gjyqësore, në policinë e shtetit, ku gjatë vitit 2017 disa sektor në DPP Shtetit dhe në policitë vendore kanë ndryshuar tërësisht, duke i lënë procedimet në fazat më delikate të hetimeve të ndjekura për periudha të gjata kohe dhe me hetime proaktive.

Në shumë raste levizjet e tyre nuk janë plotësuar me oficerë të tjerë dhe ka sjellë për pasojë zvarritje në kohë të veprimeve dhe hetimeve. Ka një problematike të theksuar me transkriptimin e përgjimeve të zgjatura në kohë, duke mos i dhënë mundësinë prokurorit të operojë me verifikimin e fakteve që kanë dale nga përgjimet dhe të mos ketë mundësi të vendosë për zgjidhjen e çështjes në kohë të arësyeshme.

Megjithëse e pajustifikuar tek secili prokuror dhe oficer i policisë gjyqësore, mund të them se janë evidentuar luhajtje të angazhimit dhe vullnetit në punë si rezultat i ndryshimeve kushtetuese dhe ligjeve paketë e reformës në drejtësi, ku parashikohet dhe ndryshimi i funksionimit të Prokurorisë Për Krime të Rënda.

Pritja për implementimin përfundimtar ka ndikuar në lidhje me pasigurinë e përfshirjes në të ardhmen në struktura të prokurorëve dhe policisë gjyqësore një ndikim i cili ka ulur vullnetin dhe efiçensën në shpejtësinë e hetimeve.

Po ashtu kam bindje se edhe ndryshimet që ka pësuar K.Pr.Penale, ku dispozita kalimtare për kompetencën e Gjykatës së Krimeve të Rënda ka pasur diskutime, ka ndikuAr paksa në shpejtësinë e hetimit, pasi nëse Gjykata e Lartë vendos ndryshe nga dispozita kalimtarë një numër i madh i procedimeve aktualisht në hetim në këtë prokurori, transferohet prokurorive të rretheve të tjera.

Imazhi i përfolur gjatë gjithë kohës nga faktori politik, duke e cilësuar sistemin si të korruptuar dhe mosfunksional në tërësi ka dhënë efektet e veta negative në demotivimin në punë të prokurorëve dhe oficerëve të policisë gjyqësore.

Ndoka kritikëve të Bashës: U fshehët poshtë batanijes së Berishës dhe parfumoseshit me po*** e tij

TIRANË- Nard Ndoka i ka dalë në mbrojtje kreut të Partisë Demokratike Lulzim Basha, duke shpërthyer në akuza ndaj kundërshtarëve të tij në parti. Në një status në “Facebook”, kreu i PDK, aleat i PD flet me superlativa për këtë forcë duke e spostuar kritikën ndaj qeverisë dhe figurave siç thotë ai të rritura nën hijen e Berishës.

Ndonëse shpreh respekt për ish-kryeministrin Sali Berisha, Ndoka shkruan se ai mbetet një burrë shteti, autoritar, konseguent, mbajtës i fjalës, por edhe i ashpër deri në ekstrem por se epoka “Berisha” është mbyllur me dorëheqjen e tij.

Për zërat kundër Bashës, Ndoka thotë se shumica e tyre i përkasin rrymës konservatore në PD, alternativa e vetme për ta ishte; ‘rroftë Berisha’!

“Kur Olldashi mori kurajën qytetare dhe politike, të konkurojë Bashën në PD, këto sejmenë konjukturash u fshehën poshtë batanijes së Berishës dhe parfumoseshin me ‘pordhët’ e tij!”, shkruan ai.

STATUSI I NDOKËS
Kryetari nuk hiqet me statut!
Bashkohuni të gjithë të rrëzojmë Ramën!

Debatet në partinë më të madhe opozitare, janë sponsorizuar këto ditë në mediat proqeveritare, sa të krijohet ideja se kjo parti ka probleme të mëdha, ndaj do duhet të durojmë edhe për ca vite Edi Ramën dhe partinë e tij të shpartalluar!

Rilindja nuk funksionon si parti, nuk voton fare kryetarin, nuk ka debat, nuk ka mendim, nuk ka demokraci, por ka vetem kryetar që ka vjedhur zgjedhjet dhe po keqqeveris vendin prej pesë vitesh!
Kjo është e keqja më e madhe e vendit; ‘rilindje’ që nuk lindi kurrë dhe qeveri e lindur nga krimi, droga, korrupsioni, oligarket, shokët dhe shoqet e kryeministrit!

Mungesa e demokracisë në PS është problem kombëtar dhe interes i drejtpërdrejtë për publikun, sepse është parti që po qeveris vendin duke dhunuar çdo institucion e duke i shpallur luftë çdo qytetari me taksat dhe fodullëkun e saj!

Partia Demokratike është partia, që lindi si shpresë për të gjithë shqiptarët; drejtoi vendin për disa vite në pluralizëm. Unë bëj pjesë te kritikët e kësaj partie, kam kërkuar sëbashku me të tjerë reformimin e saj vite më parë!

Sali Berisha mbetet një burrë shteti, autoritar, konseguent, mbajtës i fjalës, por edhe i ashpër deri në ekstrem. Epoka Berisha është mbyllur me dorëheqjen e tij, sipas gjykimit tim me bilanc pozitiv dhe shumë arritje për vendin dhe PD!

Stafi politik dhe bashkëpunëtorët e z.Berisha nuk kanë arritur ta kuptojnë akoma, se dorëheqja vlen edhe për ta, moralisht dhe politikisht.

Si personazhe të rritur nën hijen e Berishës, tashmë në ‘diellin përvëlues’ të mënjanimit të tyre nga listat e Kuvendit, nuk po dinë ku janë, çfarë kërkojnë dhe ku do të shkojnë.

Shumica e tyre i përkasin rrymës konservatore në PD, alternativa e vetme për ta ishte; ‘rroftë Berisha’! Personazhe, që nuk krijuan profil politik, që nuk u distancuan kurrë nga gabimet e PD- së dhe të Berishës ndër vite, përkundrazi morën role servilash në parti dhe përfituesish në qeveri!

Kur Olldashi mori kurajën qytetare dhe politike, të konkurojë Bashën në PD, këto sejmenë konjukturash u fshehën poshtë batanijes së Berishës dhe parfumoseshin me ‘pordhët’ e tij!

E braktisën Olldashin dhe statutin, parimet dhe garën, demokracinë dhe detyrën, e qëndruan si tinëzarë për të vazhduar më tej si dinin vetëm ata!

Ndaj sot, nuk kanë shkëlqim, nuk krijojnë besim, nuk kanë mbështetje, por kanë vetëm mllef dhe inate; me Bashën dhe ‘kunatin’, me rojën e PD-së, me të gjithë ato që përpiqen të mbështesin PD-në dhe Bashën, si Liderin e Opozitës së Bashkuar!

Të nderuar miq demokratikas që mendoni se kryetari përjashtohet me statut partie, kthjellohuni; çlirohuni nga e keqja, bëhuni kontribues opozitar, zgjeroni rrethin tuaj, ndikoni tek të tjerët në parti, tek aleatet, tek anëtarët e thjeshtë, krijoni alternativa të besueshme, krijoni ekip; atëhere nuk ka statut që e mbron Bashën, sepse shumica shemb me votë kryetarin dhe këdo tjetër!
Unë jam me Ju, nëse Ju jeni me veten Tuaj!

Sali Berishën nuk e largoi statuti, por morali i tij politik dhe qytetar e sidomos ju me keqqeverisjen tuaj. Epoka Basha në PD sapo ka filluar; mungesa e përvojës, luhatjet në vendimarrje, aksioni si ‘presing’ politik, autoritarizmi fals; e dëmtuan jo pak në startin e tij politik!

Basha mori një goditje në zgjedhje, ku ju të nderuar demokratikas, kontribuat aq sa mundet, fshehuarazi dhe haptas ta sabotoni Bashën dhe Opozitën.

Basha nuk humbi nga Ju, humbi nga konjukturat e pista politike, u përball me drogën, grupet kriminale, korrupsionin qeveritar!

Basha humbi edhe më shumë; se humbi ndërkombëtarët, humbi trajektoren, humbi kauzën, humbi drejtpeshimin, humbi aleatët, ju humbi edhe ju; por askush nuk mund të fitonte në aq pak kohë!

Plagët që ju hapët gjatë mbretërimit Tuaj, indiferenca që ju mbollët, hendeku që ju krijuat me qytetarët, fodullëku, arroganca, e shoqëuan Bashën dhe Opozitën çdo ditë dhe çdo minutë në fushatë elektorale!
Qytetarët na pyesnin për Ju; ku janë, pse janë kundër?! Nuk na hapnin telefonat, nuk na prisnin, harruan partinë, mbushën xhepat dhe tashti na bëjnë moral!

Ja pra, që ju përveç aktivizimit tuaj botërisht kundra kryetarit, ju shoqëronte paralelisht edhe një dozë pakënaqësie e kthyer në urretje, tek votuesit, tek anëtarët dhe militantët e djathtë, aq sa edhe kandidatët e rinj i krahasonin me ju; të gjithë njësoj jeni edhe ju si ata do bëheni, përfitues në pushtet, grindavecë pa karrige dhe të neveritshëm në realitet!

Edhe unë sot, mendoj ndonjëherë si ju, debatoj me kolegët e mi aleatë. Themi që Basha ka defekte, i rendisim ato, analizojmë situatën, ngjarjet, nxjerrim konkluzione, mendojmë sikur të ishte Berisha kryetar; a do të ishte më mirë?!

‘Pse-të’ nuk mbarojnë kurrë, por një gjë është e sigurt; PD-ja dhe Opozita e Bashkuar nuk ka Lider tjetër më të mirë dhe më afër fitores se Lulzim Basha. Ky është mendim dhe gjykim i konsoliduar!

Ju që po kërkoni që Luli të humbë, që statuti të shkarkojë Lulin, kur të humbë, që statuti të shkarkojë Lulin. Kur të humbë Luli edhe njëherë tjetër, ka shkarkuar veten, ju dhe të gjithë!

Intervista – Avokatja e Popullit: Shkeljet gjatë arrestimit të kuksianëve

TIRANE- Avokati i Popullit, Erinda Ballanca e ftuar sot në emisionin “Kjo javë” në News 24 ka sqaruar publikisht problematikat dhe shkeljet e evidentuara nga institucioni që drejton gjatë arrestimit të protestuesve për taksën në rrugën e Kombit.

Zonja Ballanca foli për moszbatim të garancive ligjore dhe kushtetuese. Sipas saj urdhrat e ndalimit nga Prokuroria për protestuesit kanë qenë pa arsyetim në lidhje me shkaqet. Gjithashtu në rekomandim thuhet se nuk rezulton dokumentim nga Policia për ekzekutim të urdhrave.

Ju keni bërë një rekomandim të detajuar, çfarë ka ndodhur gjatë asaj nate?
Do doja të ishte edhe më i detajuar, me më shumë gjetje dhe problematika, por kaq kohë patën në dispozicion. Avokati i Popullit nuk vendos kush duhet arrestuar dhe kush jo, por kemi të drejtën të mbrojmë liritë dhe të drejtat e njeriut ndaj bëmë një analizë të plotë të kësaj ngjarje.
A ka pasur probleme ligjore gjatë gjithë shoqërimeve?
Ka pasur probleme të natyrës procedurale. Nuk mund të shprehemi nëse urdhër-arrestet kanë qene të drejta apo jo. Ajo që ne kemi vënë re është se veprimet e kryera nga ana e policisë janë të marra nga një urdhër i prokurorisë.
Lejohet ti shkosh një individi në shtëpi? Është e ligjshme kjo?
E drejta themelore e njeriut është ajo e lirisë atij nuk duhet ti cënohet liria. Në lidhje me masën e arrestit nuk ka ndalim për arrestimet gjatë orëve të natës. Ka një dispozitë tjetër që thotë se nuk mund të bëhen kontrolle nga ora 10 e natës deri në 7 të mëngjesit. Në gjykimin tonë nuk ka shkak që arrestimi të bëhet natën. Një arrest duhet të jetë jo vetëm i ligjshëm, por nuk duhet të jetë as arbitrar. Gjykata evropiane e të drejtave të njeriut i trajton këto çështje vazhdimisht dhe arrin në konkluzionin se pushtetet nuk duhet të stimulojë masat represive.
A keni kërkuar dokumente shtesë dhe nuk u janë vënë?
Çfarë kemi kërkuar na është sjellë, ka edhe të tjera që s’na kanë ardhur ende por nuk është se do ndryshojnë rezultatin. Ne ishim pas protestës në Kukës, janë vënë re sjelljet e frikës tek protestuesit. Gjatë shoqërimit policët nuk kanë lënë kopjet e urdhër-arresteve në shtëpitë e protestuesve. Edhe gjatë momentit të arrestimit nuk kanë dhënë asnjë informacion. Nga intervistat që kemi bërë dhe pyetjes përse na merrini i janë përgjigjur me ju e dini vetë ç’keni bërë. Pra duhet të kishte pasur më shumë informacion.

Si qytetare ndihem keq sepse në gjykimin tonë dhe në përputhje me të gjithë standardet protestuesit duhet të ishin të lirë. Jo për faktet penale.

Reagon Doris Pack: Turp për Ramën, e sulmon deputetin gjerman, mendon se të gjithë blihen e shiten

Doris Pack, ka reaguar për deklaratat e kryeministrit shqiptar Edi Rama ne adrese te Kryetarit te Komisionit të Çështjeve të BE-s në Bundestagun gjerman, Gunther Krichbaum.

“Një histori e pabesueshme dhe e fabrikuar në mënyrë perfekte nga #Edi Rama, kryeministri shqiptar, për shpifje ndaj #Gunther Krichbaum, kryetar i Komisionit të Evropës në Bundestagun Gjerman. #Rama mendon për të tjerët se janë në kategoritë e tij: të gjithë mund të blihen + shiten. Turp për të + gazetarët që përhapin shpifjen”, shkruan ajo në Twitter.

doris pak tww

Sot, kreu i PD-së, Lulzim Basha denoncoi dhe denoi ashper sulmet qe sipas tij, Edi Rama po bën nga mediat e kontrolluara prej tij, ne adrese te Kryetarit te Komisionit të Çështjeve të BE-s në Bundestagun gjerman, Gunther Krichbaum.

Ne nje deklarate nga selia blu, Basha permendi tre emra, Ramen, Tahirin dhe kryebashkiakun Veliaj, si pjese e ketij sulmi, sipas Bashes, neverites.

“Gjëja më e ndyrë e kësaj fushate që po zhvillohet prej 3 ditësh në media është se ajo financohet nga paratë e krimit, drogës dhe korrupsionit qeveritar që lidhen drejtpërdrejt me Ramën, Tahirin dhe Veliajn.

Ai është një nga figurat më të nderuara të Gjermanisë dhe evropës, një njeri që e do dhe mbështet Shqipërinë, por ku të sundojë shteti i të drejtës dhe demokracia, ndaj ka shprehur hapur kritikat. Kritikat e tij janë shprehur Ramës dhe qeverisë dhe nga shumë qeveri të BE, edhe nga SHBA, por në vend që të ballafaqohet me realitetin e vërtetë, që të reflektojë për kritikat Rama ka zgjedhur të prodhojë fushatë shpifjesh kundër kryetarit të cështjeve të BE në Bundestag. Gjëja më e ndyrë e kësaj fushate, që po zhvillohet prej tre ditësh, është se ajo financohet nga paratë e krimit, drogës dhe korrupsionit që lidhen direkt me Ramën, Tahirin dhe Veliajn”- tha Basha.

Çmendet Garda e Republikës, do të blejë fuoristradë 365 milionë lekë (Dokumentet)

Luksi dhe siguria e zyrtarëve kushton qindra milionë lekë. Pasi rregulluan zyrat, blenë makina të shtrenjta, punësuan njerëzit e afërt me poste kryesore, shtetarët tashmë kthehen nga siguria. Ministria e Brendshme ka hapur një tender, me vlerë rreth 1 milionë euro, ku do të blihen automjete për disa institucione.

Por një nga lotet e këtij tenderi është blerja e një automjeti tip fuoristradë 4×4 me kalueshmëri të lartë për Gardën e Republikës. Deri këtu çdo gjë në rregull. Por shokues në këtë rast është çmimi i blerjes së këtij automjeti.

Në dokumentet që ka siguruar Tpz.al thuhet se për këtë automjet, ministria e Brendshme ka akorduar plot 365 milionë lekë. Një shifër e frikshme duke parë financat e pakta të shtetit tonë. Në dokumente citohen vetëm të dhënat për makinën 4X4 dhe nga to rezulton se ajo nuk ka ndonjë opsion të veçantë. Nisur edhe nga çmimi, prej rreth 300 mijë USD, automjeti duhet të jetë superluksoz, ose të paktën me armatime. Por, në dokumente nuk ka asnjë të dhënë, përveç disa sensorëve.

Automjeti të jerë i ri, me kilometrazh 0, jo më pak se 4 cilindra, me naftë, të ketë kambio automatike, me shpejtësi maksimale 170 në orë, të ketë një gjatësi 4800 mm, me lartësi nga toka në shasi minimumi 210 mm. Të ketë 5 dyer, ndërsa të ketë sensor ose kamer parkime. Ngjyra preferohet e zezë metalizato dhe të ketë pajisjet e nevojshme, me fenerë LED, drita mjegulle përpara, xhamat e pasëm të errësuar etj. Pra, të gjitha specifikimet janë normale, dhe nuk ka asnjë gjë jashtë normales në këtë makinë. Por, çmimi është rreth 300 mijë USD. Tashmë, të gjithë presim si do të jetë ky automjet i Gardës së Republikës, apo për çfarë do e përdorin.

Garda e Republikës mbron institucionet e rëndësisë së veçantë, ka roje për krerët e shtetit, ndërsa duket se automjetin superluksoz do e përdorë pikërisht për të mbrojtur këta pushtetarë. Por, a ia vlen që ky institucion të shpenzojë këtë shumë për këta shtetarë?

Pak muaj më parë, Tpz.al denoncoi se kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, hapi një tender me vlerë 66 milionë lekë të vjetra për blerjen e një automjeti. Pas publikimit të investigimit në Tpz.al, Leli u tërhoq.

Ndërkohë, Tpz.al denoncoi edhe tenderin e AMF-së, me firmën e drejtuesit të saj Ervin Koçit, për blerjen e një automjeti me vlerë 92 milionë lekë të vjetra./TPZ.AL

Më poshtë janë edhe makinat e tjera të porositura nga institucionet e tjera:

Pas miratimit të projektstatutit të ri, Topalli i bën një letër të gjatë Bashës: ja pse duhet të largohesh

Këshilli Kombëtar i PD-së i ka hapur rrugë rikthimit të ish-nënkryetares së PD-së, Jozefina Topallit, në nivelet e strukturat më të larta të partisë.

Me nje shenim te gjate ne faqen e saj ne FB, Topalli e cileson te djeshmen, si nje te premte te zeze ne PD. Ajo numeron arsyet se pse nuk mund te pajtohet kurre me Bashen dhe thekson se ai duhet te largohet.

Postimi i Topallit 

Dje ka qene e premte e zeze per PD.
Keshilli Kombetar i PD u mblodh ne fund te mandatit te tij per here te pare(pas atij zgjedhor).
Per here te pare ne historine e PDSH ndodh qe ne Keshillin Kombetar te PD te mos lejohet qe te diskutohet per zhvillimet politike; Te mos lejohet te behet nje analize e situates pas humbjeve te perseritura dhe ne veçanti pas humbjes katastrofale te 2017;
Asnje demokrat nuk mund te imagjinonte se pervec kesaj do votohej qe te mos flitej per politike, te mos diskutohej per situaten ku eshte katandisur PD, as per pergjegjesi te drejtuesve, as per emergjencen e nevojes te ringritjes se PD ; as per qeverine me te keqe te ketyre 30 viteve,, e natyrisht as per deshperimin ekonomik te familjeve shqiptare.
LB vendosi qe te mos flitej per politike.
Se per cfare tjeter Parlamenti(Keshilli Kombetar )i nje force politike mund te flase nese jo por politike, kete vetem Luli mund ta shpjegoje.
Keshilli Kombetar ( qe nuk e thirren sic e do statuti pergjate ketyre 4 viteve asnjehere) u thirr pa nje rend dite politik; biles edhe pa patur draftin e Lulit per ndryshime statuore( sepse ate e shperndane me email vetem pak ore me pare , gje qe nuk te jep mundesi per te bere nje vleresim serioz);
pa u diskutuar me pare me departamentet , pa u konsultu me sekretariatin , pa u diskutu me deget e rretheve, sic eshte bere ne dekada ne kete force politike.
Per here te pare forumi vendos me i heq kompetenca vehtes dhe per t’ia shtu Kryetarit.
Duket surreale ne fakt , por dje keshtu ka ndodh, dhe e gjitha kjo ne çensure te plote, sepse as mediat nuk lejoheshin.

Thelbi i mbledhjes dhe i draftit Basha ishte mbrojtja e karriges se Lulit.
Qe dje , me letra Luli do jete i perjetshem.
Ai mund te humb te gjitha zgjedhjet edhe me zi se nje vit me pare , por luli aty do jete me statutin e ri.
Shqiptaret do vazhdojne te ikin te pashprese nga ky vend , por luli me letra karrigen prap do e kete;
Shqiperia do vazhdoje te zhytet e te vuaje nga krimi, korrupsioni e varferia, por tani qe po ben letrat e tij , askush nuk do shqetesoje me “Kryetarin e perjetshem ”.
Si “Shkemb graniti “ aty do qendroje-keshtu e genjen mendja Lulin, duke mos kuptuar se kryetar te perjetshem nuk ka.
Aq poshte dhe pa dinjitet ka qene dje drejtimi i mbledhjes sa as propozimin e vete Lulit per mandat 2 vjecar “nuk ia pranoi grupi”- dhe argumenti ishte se nese hapet gara, pastaj mund te kete njerez qe mund te konkurojne”. – Keshtu u shpreh nje tjeter drejtues duke perseritur ca i kishte thene LB. Dmth ne PD nuk ka pse te kete gare. Ne kete rast ai ishte i sinqerte, sepse vertet nuk ka me gare.
Ne ‘mbledhje , dje Lulzim Basha i dha vehtes te gjitha pushtetet duke vrare edhe me letra demokracine e brendshme.

Dhe per te mbuluar kete turp Luli ben kujdes te shperndaje ne media se po kthehet Jozefina ne Keshillin Kombetar, sepse Luli paska pranuar, qe anetare te KK te jene Ish Kryeministri, Ish Presidenti dhe ish Kryetari i Parlamentit;
Hilecar sic di te jete vetem ai, per te mbuluar çimentimin e tij dhe kapjen perfundimtare te PD.

Ky nen, ne statutin e PD ka qene ne vite.
Jozefina nuk ka ik kurre nga bindjet e parimet e saj. As ka nevoje per karrige si ai. E kisha karrigen dhe e bera te qarte publikisht se me LB kam diferenca te medha; E kisha karrigen dhe i dola kunder vendimit per shkrirjen e strukturave te pd me urdher te tij qe ne 2014; e kisha karrigen kur e kundershtoja sepse ai nuk kundershtonte Ramen; E kisha karrigen kur protestoja se ai nuk perballej me Ramen dhe nuk bente opozite te forte: E kisha karrigen kur i thashe se ti nuk mund te sulmoje ashtu perendimin , sepse eshte PD forca qe ka hap vendin drejt tij; e kisha karrigen kur dola publicist kundra bojkotit te zgjedhjeve qe conte vendin ne destabilizim; Une nuk kam nevoje per asnje karrige.Asnje ne kete bote as me heq as me ven ne PD.Sepse ne PD- ne e endrrave te viteve 90 une kisha hyre qe para se te lindja, por kete Luli nuk e kupton.
Natyrisht nuk hesht kur shoh vendin tim te rreshqase, kur shoh e degjoj se kryetari i opozites eshte miku i kryetarit te qeverise; nuk hesht kur shoh se kreu i opozites kontrollohet nga qeveria, sepse e di qe nje vend pa opozite eshte nje vend pa shprese; aq me shume per ne e kemi provuar shume gjate dhe me kosto shume te larte diktaturen;
Refuzoj te hesht kur shoh rreshqitjen e PD drejt nje partie autokratike.
Por nuk çuditem qe luli propozon shfuqizimin e 20 shkurtit, apo njerezit e tij votojne Gramoz Rucin.Nuk zhgenjehem kur shoh si debon demokratet..
Une nuk zhgenjehem prej tij, sepse e njoh me mire se c kujton ai se e njoh.

Per karrigen e vet ai e kthei PD si nje karrige me rrota, qe here e shtyn me Ramen, here me LSI, por kurre me demokratet. Jozefina nuk pajtohet kurre qe per demokratet te vendose Rama me te tjere.
Jozefina nuk pajtohet kurre me frymen e percarjes se PD dhe te gjuetise se shtrigave te perdorur ne vitet e fundit;
nuk pajtohem kurre me rreshqitjen drejt nje mentaliteti komunist qe po i ben LB forces qe rrezoi komunizmin;
Jozefina nuk pajtohet kurre me LB qe diten flet per oligarke e nderkohe ndan interesa te medha me ta:
Eshte me mire qe Luli te dorehiqet e t’i jap mundesi PD te ngrihet per T’i dal zot vendit;
Lul Basha duhet te dorehiqet per rezultatin katastrofal qe i ka dhene PD;
Ai duhet te largohet per marreveshtjen e tradhetise me Ramen;per shpartallimin qe i ka bere strukturave , per rreshqitjen majtas e mbi te gjitha per moskryerjen e misionit si opozitar.
Ai duhet te cliroje nga pengmarrja PD-ne , qe eshte e demokrateve dhe jo e familjes dhe e kunatit;
Luli duhet larguar per demin e pallogaritshem qe jo vetem i ka bere PD por mbi te gjitha vendit.
Partia Demokratike duhet te ribehet; Ajo duhet te bashkoje cdo kontribut e vlere te saj dhe mbi te gjitha te faktoje se eshte e besueshme per te patur besimin e te rinjve, te atyre te mire e qe e duan vendin.
Partia demokratike ka detyre me i dal zot cdo qytetari:demokrat, socialist apo i pa parti.
Partia demokratike ka nevoje per nje fillim te ri ,rindertim, bashkim, Rithemelim.
Ajo ia ka borxh shqiptareve qe i falen endrren e tyre vite me pare.

Basha: Ftoj çdo demokrat të jetë pjesë e vizionit të ri të PD-së

Kreu i PD-së, Lulzim Basha, pyetur sot nga media për zhvillimet më të fundit në Këshillin e PD-së, në të cilën mes të tjerash u rrëzuan propozimet për mandatin e kryetarit, ka vlerësuar maksimalisht punën e bërë në forumet e partisë dhe të kryesisë.

“Dua të vlerësoj përpjekjet e forumeve të partisë, kryesisë për të mishëruar në statut parimet e një partie që siguron garë të ndershme për këtë, që nga kryetari te anëtari i thjeshtë, jam mirënjohës që është përqafuar platforma e kufizimit dhe transferimit të pushtetit. Risia më e madhe jo vetëm për PD dhe vendin është përqafimi pa asnjë dilemë i parimit të konsultimit sipas parimit një anëtar një votë me gjithë anëtarësinë para se të seleksionohen kandidaturat për deputetët e ardhshëm. Përsëris sot ftesën time për çdo demokrat që të jetë pjesë e projektit transformues për PD, që sjell kufizimin e pushtetit dhe vendosmërinë për të luftuar krimin dhe korrupsionin dhe monopolet”- tha ai.

Statuti i ri fut Jozefina Topallin në Këshillin Kombëtar të PD

Gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të PD për ndryshimet në statut është miratuar propozimi që anëtarë të Këshillit Kombëtar të jenë edhe ish kryetarët e Kuvendit krahas ish presidenteve, ish kryeministrave dhe ish kryetarve të PD.

Propozimi ka ardhur nga anëtarët Edith Harxhi dhe Edvin Kulluri, ndërsa ka marrë edhe aprovimin e Lulzim Bashës. Ndryshimet statutore do t’i përcillen për miratim Kuvendit Kombëtar të PD, i cili mblidhet në 28 dhe 29 prill.

Kujtojmë se ish kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli është një nga zërat kritikë ndaj Luzlim Bashës, pas vendimit për ta lënë jashtë listave të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e vitit të kaluar.
keshilli-kombetar-i-PD raporton se miratimi i këtij propozimi i hap rrugë rikthimit të Jozefina Topallit në njërin nga organet më të larta të Partisë Demokratike siç është Këshilli Kombëtar.

Propozimi ka ardhur nga Edith Harxhi dhe Edvin Kulluri, ndërsa ka marrë edhe aprovimin e Lulzim Bashës.

Kujtojmë se ish kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli është një nga zërat kritikë ndaj Luzlim Bashës, pas vendimit për ta lënë jashtë listave të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e vitit të kaluar.

Ndërkohë në një prononcim për mediat menjeheer pas mbylljes se votimit, anëtarja e Këshillit Kombëtar të PD, ish-Edit Harxhi është shprehur se nuk janë marrë parasysh pikat më thelbësore të statutit të dorëzuar prej saj dhe Kullurit.

“Kjo ishte një mbledhë farse e këshillit kombëtar të PD. U mblodh pas 4 vitesh e gjys. Ishte shume problematik sepse nuk u pranua mendimi ndryshe. U kërkua te mos kete debat. Partia po shkon drejt degradimit te plote. Se bashku me Kullurin kam dorëzuar nje statut, por asnjë nga pikat nuk janë marre parasysh. Pikat kane qene, ndarja e pushteteve, dhe me kryesorja, ishte mandati i kryetarit, me te cilin pata dhe nje debat te forte. Kjo perben nje shkelje te rende. PD ka krizë lideshipi. Unë kam filluar politikën në PD dhe do vazhdoj në të dhe nuk pranoj të bëj pjesë në asnjë lëvizje tjetër politike”, u shpreh ajo.

Qemali e ‘hëngri’ nga Enveri – Tahiri: Ai nuk e dinte nga i erdhi, unë të paktën e di

I  ftuar mbrëmjen e sotme në “Zonë e Llirë”, Arjan Çani i ka treguar ish-ministrit i brëndshëm një video të vitit 2012 kur kishte “parashikuar” se Saimir Tahiri do ta “hante” nga Edi Rama, njëjti si Enver Hoxha “hëngri” Qemal Stafën.

“16 nëntor 2012: E ha Saimiri, historia me Enver Hoxhën dhe Qemal Stafën përsëritet”, ishte parashikimi i thënë prej Çanit.

“ Ti thua se e hëngri nga Enveri, por unë i qëndroj rastit zyrtar. Qemali nuk e paska ditur, unë të paktën e di”, u shpreh Tahiri duke hedhur poshtë që kryeministri, me të cilin “janë rritur në një diell”, mund t’i bëjë diçka të tillë.

EDVIN BIMBASHI MBAN PENG 4 TË BURGOSUR POLITIKË TË RRUGËS SË KOMBIT – Nga Azgan HAKLAJ

Mbetën në burg, peng politik të Edvin Bimbashit 4 protestues të Rrugës së Kombit. Në fakt në ato pranga është një Komb i tërë që kalon në arterien që lidh gjymtyrët e tij. Shteti maskë me ferexhe i dyshes Rama Xhafaj, fotokopje e keqe e Kalifatit të sivllaut të Ramës Erdoganit, rrëmbeu në mesnatë kuksianët duke shkelur të gjitha të drejtat universale të njeriut. Pasi i solli në Tiranë në mënyrë të dhunshme si Gestapoja e Hitlerit urdhëroj prokurorinë politikë dhe gjykatën servile të mbante në burg disa ditë 11 protestuesë, ndërsa sot liroj 7 prej tyre.

Kjo hakmarrje e Edvin Ramës është vazhdim i krimit të babait të tij Kristaq Rama që firmosi dënimin me varje të poetit Havzi Nela. U deshën disa ditë protesta për të detyruar Shtetin e kmerëve të kuq që të çliroi të paktën 7 prej protestuesve.

Ky çlirim nga pengu i një pjese tregon se Rama është Maliqi dhe me shkopin e tij përcakton fatet tona, por uragani popullor ia then shkopin siç e shembi traun e Rrugës së Kombit. Trau pa alternativë, arrestimi fashist i protestuesve, protestat e vazhdueshme për çlirimin e tyre nga pengu politik dëshmuan instalimin të shtetit totalitarë të Edvin Ramës, dhe asgjësimin e shtetit të së drejtës.

Edi Rama sot në Shkodër kërkonte përplasje mes protestuesve dhe shtetit të tij policesk për të përgjakur Shkodrën si më 2 prill të vitit 1991 nga ortaku i oktapodit kriminal Gramoz Ruçi. Skenari i binomit Rama Xhafa dështoi. Gjykata servile u tremb përballë tajfunit qëndrestar në oborrin e saj dhe fuqisë historike të Shkodrës ndaj u detyrua të lirojë nga skuadra kuksiane 7 prej tyre.

Kjo tregon se shpirti qëndrestar nuk përkulet dhe se opozitarizmi popullor po kthehet në referendum që do të shembë Rajshtagun totalitar, të shtetit të kapur nga pushteti i instaluar me paratë e drogës, me bandat kriminele, me mandatet e blera, me kapjen e prokurorisë dhe pushtetit të drejtësisë dhe mbajtjen me dhunën e policisë. Me shitjen e pasurive kombëtare, sovranitetit kombëtar, Kauzës Çame, marrëveshjen e fshehtë me grekët për shitjen e detit, marrëveshjen e fshehtë me Vuçiçin për ndarjen e Kosovës. Ai është gati të vrapojë si marathonomak e të ja kalojë dhe Esat Pashës në tradhtitë e tij për ta mbajtur pushtetin.

Edi Rama po përpiqet të adaptojë filozofinë qeverisëse të Luigjit 14-të, apo të “mbretit diell ” ” Ligji jam unë”.

 Ai me propotencën e tij pa u konsultuar me askënd vendosi në gijotinë Rrugën e Kombit.

Tani po përpiqet me akrobacirat e tij politike për të zbutur qëndrimin që të blei kohë por harron se tani do të flasë Sovrani për zullumet e tij.

Largohet nga detyra me vetting Besa Nikëhasani, prokurorja e Apelit të Shkodrës

Prokurorja e gjykatës së Apelit të Shkodrës, Besa Nikëhasani, u shkarkua nga detyra sot për shkak të mosjustifikimit të pasurive të saj.

Komisioni përzgjedhës e mori këtë vendim sepse, “pas verifikimit rezultoi se Besa Nikëhasani nuk justifikon dy apartamente, dy garazhe dhe një makinë fuoristradë me vlerë rreth 20 mijë euro”.

Një nga apartamentet e prokurores që nuk justifikohet ndodhet në Tiranë, tjetri në Lezhë.

Ajo tha se apartamenti ishte blerë me paratë e shitjes së 10 dynymëve tokë nga ana e bashkëshortit, ndërsa makinën e ka blerë për shkak se i vendosën tritol, dhe se disa herë kanë tentuar t’i shkaktojnë aksident me automjetin e vogël.

“Unë e kam deklaruar banesën në Lezhë qysh më 2004 në ILDKPI. Ky vendim është i padrejtë dhe nuk e kam shkelur ligjin kurrë. Prej 14 vitesh shkoj nga Tirana në Shkodër dhe kam përfaqësuar shtetin për 43 vrasje në një vit, i jam përkushtuar më shumë punës dhe ma pak familjes” – tha ajo.

Nikëhasani është prokurorja e parë që i bashkohet listës së dy gjyqtarëve, që u përjashtuan nga detyra gjatë proceseve të para të vettingut. Deri tani vetëm një gjyqtare e ka kaluar pozitivisht këtë proces.

Haradinaj ia jep “bekimin” Thaçit për dialog me Serbinë, pranon platformën e re

PRISHTINE– Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ia ka çuar në zyrë presidentit Thaçi, platformën që e mandaton këtë të fundit për ta udhëhequr dialogun me Serbinë. Thaçi thotë se kjo fazë e dialogut duhet të përmbyllet me një marrëveshje ligjore ndërkombëtarisht të obligueshme.

“Sot e pranova nga kryeministri Haradinaj platformën shtetërore të Republikës së Kosovës për finalizimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Finalizimi i dialogut është një mundësi e mirë për Kosovën që të afrohet me Bashkimin Evropian dhe të forcojë edhe më shumë subjektivitetin ndërkombëtar”, shkruan Thaçi.

Sipas tij, kjo fazë e dialogut duhet të përmbyllet me një marrëveshje ligjore ndërkombëtarisht të obligueshme, e cila i mundëson Kosovës anëtarësimin në OKB, por edhe normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë, duke respektuar sovranitetin dhe integritetin territorial, si dhe duke ecur përpara pa u penguar si shtete fqinje drejt integrimeve euroatlantike.

“Ekipi ynë në këtë fazë përfundimtare të dialogut do të jetë gjithëpërfshirës dhe do të ketë bashkëpunim e koordinim të plotë të të gjitha institucioneve të vendit. Ne jemi të përkushtuar që të kontribuojmë në stabilitetin rajonal dhe në krijimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë me të gjitha vendet fqinje”, ka thënë ai.

“Komisarët e tu ngarkonin drogë”, Mark Marku përplaset me Tahirin. Ish-ministri: Ti i dridhesh të vërtetës

Ish-ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri, në lidhjen direkte telefonike për emisionin “Opinion”, i është përgjigjur ndër të tjera disa pyetjeve të drejtuara nga gazetari Blendi Fevziu, por edhe nga disa të ftuar që ishin në studio.

Ai është përplasur me analistin Mark Marku, ndërsa pyetja e këtij të fundit drejtuar Tahirit ka sjellë tension mes tyre. I pyetur nëse e ka pasur të qartë detyrën e tij kur ishte në krye të Ministrisë së Brendshme, Tahiri iu përgjigj: Mark, a e kam pas të qartë detyrën mund të ta shpjegojë Grida këtë gjë.

 

Marku: Grida mund të ta shpjegojë ty, se e ke këtu mund të flasësh direkt. Unë po të pyes a është detyra e një Ministri Rendi që vendi të mbillet me kanabis? Dhe a është detyra e një ministri Rendi qe komisaret e policisë që i caktoje ti, të ishin punëtor ngarkim shkarkimi për punonjësit e kanabisit?

Tahiri: Ku e ke parë ti që komisaret ishin punëtorë ngarkim shkarkimi?

Marku: Po pra po, kanë dalë në televizion.

Tahiri: O Zoti Marku, të garantoj që unë e kam ditur shume mirë detyrën time. Nuk jam si ty që i dridhem të vërtetës. Unë i bie drejtpërdrejt.

Marku: Unë nuk i jam dredhur, ti po i dridhesh.

Tahiri: I dridhesh dhe jo pak, unë i bie drejtëpërdrejtë

Marku: Shpresoj ta thuash të vërtetën tani

Shkodër: “Këta janë bij nënash të pafajshëm”, “Bijtë e kurvave, Rama e Tahiri janë në parlament” (Video)

TIRANË- I gjithë grupi parlamentar i Partisë Demokratike është shpërngulur në Shkodër për të mbështetur 11 kuksianët e arrestuar për protestën në “Rrugën e Kombit”, të cilët sot kanë dalë para apelit për të kërkuar lirinë. Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Edmond Spaho i kërkoi kryeministrit të pranojë që këta qytetarë janë të pafajshëm dhe të tërheqë akuzën nëpërmjet policisë.

Por më i ashpër ka qenë deputeti tjetër i PD-së Ervin Salianji i cili foli me gjuhën e ish-ministrit të Brendshëm duke thënë se këta protestues janë bij nënash të pafajshëm, ndërsa disa bij k*** janë në parlament.

Edmond Spaho: Nuk i drejtohemi drejtësisë. I jemi drejtuar kryeministrit sepse ai pranoi që ka vepruar gabim me taksën e rrugës së Kukësit. Ndërkohë është vërtetuar me prova, me fakte, me filmime, me të gjitha që arrestimi i tyre ka qenë i jashtëligjshëm, në shkelje të kodit të procedurës penale, pa fakte, me një gjyq që tashmë është vërtetuar që ishte farsë. E për rrjedhojë i takonte kryeministrit qëe pranoi se ishte gabim të tërheqë akuzën ndaj tyre nëpërmjet organeve të policisë të cilët kanë kërkuar tek prokuroria arrestimin e tyre. Prandaj i jemi drejtuar kryeministrit, ta tërheqë, të pranojë edhe në këtë rast që këta janë të pafajshëm dhe i ka mbajtur për motive politike brenda. Do të hyjmë në seancë sepse seanca është publike, sa kohë që nuk ka një vendim të gjykatës për ta zhvillaur me dyer të mbyllura. Kemi ardhur të shprehim mbështetjen në përputhje me ligjin ndaj tyre.

Ervin Salianji: Këtu janë 11 bij nënash të cilët janë në burg padrejtësisht. Ndërkohë ca bij të tjerë pavarësisht parave që kanë bërë bëjnë si të ndershëm në mes të parlamentit. Ata që flasin si bij k***, Saimir Tahiri, Edi Rama. Punë k*** është bërë kjo punë. Ndërsa këta janë në hall të vet, për 13 mijë lekë për të hyrë në shtëpi. Ne do jemi përherë në ndihmë të qytetarëve.

 


Send this to a friend