VOAL

VOAL

Mimi Kodheli: Tarifa për Rrugën e Kombit duhet të jetë zero…

Ish ministrja e Mbrojtjes dhe deputetja socialiste e qarkut të Kukësit Mimi Kodheli ka deklaruar sot për News 24 se tarifa e Rrugës së Kombit për banorët në zonë duhet të jetë zero.

Ndonëse tha ajo llogaritë matematikore mund ta nxjerrin edhe 5 euro tarifën, Kodheli u shpreh se banorët e Kukësit duhet të paguajnë shumë më pak.

E pyetur nëse mendimin e saj ia ka thënë edhe kryeministrit Rama, Kodheli tha se ka bërë diskutime që i quajti konstruktive me dy ministrat respektivë, Ahmetaj dhe Gjiknuri.

“Jam e bindur që kam thënë e bërë gjënë e duhur jo vetëm për faktin që kjo është një tarifë që duhet të rishikohet por edhe për faktin që deri kur të mbërrijmë tek vendosja e tarifave duhet të kemi disa gjëra parasysh. Në gjykimin tim si politikan por dhe si ekonomist nuk janë marrë parasysh. Duhet që të gjitha rrugët dytësore duhet të funksionojnë mirë.
Nuk është vetëm Rruga e Kukësit që do tarifohet por dhe rrugë të tjera. Ndaj duhet të ketë një plan. Kjo tarifë më së pari nuk duhet të bjerë në kurrizin e qytetarëve të Kukësit. Mbetet qarku më i varfër në Shqipëri. Çdo qytetar kuksian do të ishte i gatshëm për hatër të përfundimit të rrugës e mirëmbajtjes të paguante një shumë parash që nuk është asnjëherë 5 euro, sepse deri dje kanë paguar 10 mijë lekë të vjetra. Pra mund të ia lejojnë vetes të bëjnë një pagesë modeste, asnjëherë 5 euro. Ajo është një rrugë e rrezikshme e projektuar keq. Flas si shofere jo si politikane. Pra, për të kaluar një qytetar kuksian nga njëra pjesë e pronës tek tjetra, duhet të kalojë rrugën dhe nuk ka urë kalimi. Ka shumë arsye për të cilat tarifa duhet ridiskutuar, duhet reduktuar për qytetarët e Kukësit. Në gjykimin tim nuk duhet të jetë 5 euro.
Unë kam folur me ministrat respektivë dhe në diskutimet tona besoj konstruktive, ka një përllogaritje që mund të dalë edhe 5 euro. Problemi është që kësaj përllogaritje duhen shtuar disa efekte që jo domosdoshmërisht matematika arrin t’i shpjegojë. Kam thënë që nuk duhet të paguajnë, duhet të jetë zero tarifa për rastet që flisni”, tha Kodheli.

KË SHQETËSON E VËRTETA MBI “AUSCHWITZ-IN SHQIPTAR” TË TEPELENËS – Nga AGRON TUFA

(Kundërpërgjigje Pëllumb Xhufit)

Në debatet e ditëve të fundit me historianin komunist të Mesjetës, i cili “arratiset” prej asaj epoke për t’u rreshtuar në majë të falangave të frustruara enveriste, kam marrë qindra mesazhe falenderimi, sikundërse dhe disa dhjetra të tjerë, që më thonë: “Pashë Zotin, ç’merresh me një kufomë ideologjike si ai?”; “ç’merresh me një astral të ulët?”, etj. Më duhet t’u sqaroj këtyre të dytëve, se polemikat me z. Xhufi janë të detyrueshme jo për vlerën nominale që paraqet ai vetë, por për përdhosjen që shkakton ky trashëgimtar i enverizmit , tok me inerte të ngjashme me të, me të cilat është ndotur tejpërtej horizonti ynë shoqëror postkomunist. Është, pra, instinkti higjenik, që ka lindur bashkë me të parat formacione urbane, për t’u dhënë drejtimin e duhur ujërave të zeza. E bëj këtë edhe në respekt të mbi 10.000 të vrarëve e të pushkatuarve anembanë atdheut tonë të shumëvuajtur, që nuk gjetën eshtrat e të dashurve të tyre, në respekt të dhjetramijërave të dënuar të komunizmit, por edhe si homazh të qindramijërave të internuar nga diktatura dhe zgjatimit të hidhur të fateve të tyre familjarëve – nga Jugu në Veri të atdheut tonë të gjakosur, të fyer, të terorrizuar nga makina grirëse e luftës së klasave dhe mallkimit të biografisë.
1. Po ia nis, pikësëpari, nga habia më e madhe logjike e këtij kankari të enverizmit, të cilën ky e shtron në pyetjen retorike: “Çfarë do Tufa t’i tregojë botës? Që shqiptarët se përveç antikomunistë qëndrestarë, janë kafshë me fytyrë njeriu?”.
Përgjigjem unë: “Pse me i fye “vëllezërit tonë të vegjël” – kafshët, aq rëndë, duke i krahasuar nga bishat sadiste e perverse, xhelatë të diktaturës, operativë sigurimi, komandantë burgjesh e kampesh, hetues, prokurorë, gjykatës, sekretarë partie e Komitete partish, që shtjellonin vazhdimisht skenarë meshash të zeza? Kafshët as nuk i masakrojnë, as nuk i vrasin të ngjashmin e tyre, kurse gjithë ajo plojë kombëtare, gjithë ajo vëllavrasje, prologun e së cilës e nisën komunistët që gjatë Luftës së Dytë Botërore, e bënë dofarë trajtash antropomorfe që nuk kishin gjë të përbashkët me Njeriun. Dhe kjo plojë nuk rreshti për afro gjysëm shekulli, në PAQE. Në këtë pikëpamje s’ke pse u bie më qafe kafshëve.
Elaboratet shqiptarocide serbe nga “Naçertanie” e I. Garashaninit (1844), deri tek pasardhësit e tij, V. Gjeorgjeviçi, N. Pashiqi, A. Rankoviqi, D. Qosiçi, do ta kishin zili atë çfarë u shkaktoi shqiptarëve nxënësi i tyre i tejzellshëm, Enver Hoxha, me regjimin tij terrorist, me humbjen e gjysmës së atdheut (Kosovë, Maqedoni perëndimore dhe viset shqiptare të Malit të Zi), për të cilat u premtua gjatë luftës se do të shprehnin vullnetin e vetvendosjes. Çfarë vijoi në fakt? Edhe pse popullsia e atyre viseve ia bashkangjit lëvizjes antifashiste çlirimtare, pasoi tragjedia e spastrimit etnik me eleminimin e 6000 partizanëve të Shaban Polluzhës, rirekrutimin, mandej, të 50 mijë të rinjve nga e gjithë Kosova dhe, siç dihet gjerësisht, epilogu tragjik kulmon me masakrat e 6 eshalonëve të nisura në itinerarin Prizren-Kukës-Pukë-Shkodër-Tivar-Dubrovnik. Ata u masakruan të pambrojtur, të paarmatosur. Mbi 3000 të rinj kosovarë. Me idenë se do të armatoseshin në destinacion – frontin antinazist të Triestes. E këtu një rol të theksuar luajnë komandantët partizanë të dërguar nga Enver Hoxha e Dushan Mugosha në bashkëpunim me emisarët jugosllavë. Të gozhdojnë kabllogramet e komandantëve e komisarëve shqiptarë Ramiz Alia, Gafurr Çuçi e Rahman Parllaku (tek të cilët dorëzoheshin partizanët kosovarë, me idenë se u bien në dorë vëllezërve të tyre, siç rezultoi, kainianë), kabllograme të cilët marrin “gjegje aproksimativisht” nga Enver Hoxha (lexo: Dushan Mugosha). Një hekatombë me gjak të pafajshëm shqiptarësh! Këtu nis e thellohet ajo “çarje” e pariparueshme kombëtare, që kishte nisur nga vjeshta e vitit 1943 me prishjen e Marrëveshjes së Mukjes. Gjithçka tjetër që pasoi gjatë e pas Luftës së Dytë, qe një ngrehinë shqiptarocidi mbi fundamentin e krimeve të luftës, tashmë në paqe, siç ia donte e zeza zemër jugosllavëve. E Xhufi, kërkon të shtrojë një kozmetikë mbi fytyrën e masakruar të atdheut tonë, të mos ngrihet perdja e krimeve, të mos dalin përgjegjësit e tyre. Po kjo nuk është e shëndetshme. Ne na duhet e VËRTETA. Ajo është vetëmjaftueshme, pa qenë nëvoja për folje ndihmëse a gjysmëndihmëse të prapagandës enveriste, sikundër është Xhufi me shokë.
2. Z. Xhufi, në makiavelikën e tij e tij të ulët, thebësisht vulgare e banale, përmes pedagogjisë së manipulimit, mashtrimit dhe alibisë, kërkon të theksojë atë që unë sidomos nuk e kam thënë dhe as që mund të imagjonohet edhe në makthin më të keq. Ai bën pyetjen e dytë retorike: “Çfarë duan Tufa me tufë t’i tregojnë botës mbarë? Që shqiptarët s’mund të bëhen bashkë; se shqiptarët vazhdojnë të jetojnë në epokën e barbarisë dhe se, përveç atyre, “antkomunistëve qëndrestarë” gjithë të tjerët (sidomos “jugorët”) janë kafshë me fytyrë njeriu”. Si duket, kjo është metoda e akuzës dhe fajësisë, që ka funksionuar në organizatat e partisë dhe luftës së klasave ku është (de)formuar, kalitur e ngalitur, frymëzuar e selitur personaliteti katastrofik i Xhufit. Kush s’e kupton këtë? Aq më tepër për një si unë që formim ka interpretimin e teksteve. A është nevoja vallë, të pohoj se kurrë, në asnjë rast, në asnjë aludim, nuk e kam shprehur një ide kaq të ulët e të neveritshme? Ne, që patëm fatin të mos rriteshim nën çadrën e PPSH-së, prindërit tanë të thjeshtë, që nuk iu përkulën diktaturës, na kanë mësuar, se vendi ynë nuk është aq i madh, sa të ngremë njërën gjysmë të atdheut kundër tjetrës. E kundërta, po: në idealet tona ne na dhemb qëoftë edhe një pëllëmbë tokë shqiptare nga Tivari e Mitrovica, nga Medvegja e Shkupi, deri në Konicë e Prevezë. Tingëllon kaq qesharake kjo alibi e Xhufit për një si unë, që familjen e tij e ka gjysëm veriore e gjysëm jugore. E sa për cilësorin “injorantë”, më falni për modestinë, por unë e mbuloj kokë e këmbë Xhufin vetëm me librat e botuar deri më tash, të çmuar e të vlerësuar brenda e jashtë atdheut. Ingnorantus (në kuptimin latin të fjalës) është ai që nuk lexon, që nuk dëgjon, që nuk kupton, që nuk mendon, që i ka ngordhur kurreshtja për të vërtetën. Si të sillesh me të?
3. Fjalori i Xhufit është tërësej i kohës dhe shijes së komunizmit, nëse ia hyjmë një procedure “dekonstruktiviste”. Ai më quan “antagonist” (“antagonisti im kryesor”). Shkenca ideologjike komuniste me “antagonist” kishte parasysh dy palë, që të gjitha pikëpamjet i kanë të papajtueshme, klasore, botëkuptimore e me radhë. Deri në vdekje. Me një fjalë, armik i përbetuar. Ruajnë Zot ta kondisideroj unë z. Xhufi, antagonist (aq më pak, kryesor). Unë mendoj se me z. Xhufi na ndajnë botëkuptimet, por nëse ndodh që qenia shqiptare të vihet në rrezik, hamendësoj se, njëlloj si unë, pa asnjë rezervë, do të bënte të njëjtën gjë edhe z. Xhufi në mbrojtje të patries. Kjo është pikëpamja ime, ndonëse shpresa se oponenti im (kurrësesi jo “antagonisti”), pak gjasë ka të përfitojë në rishikimin e pozicioneve të veta. Sepse, mjerisht, përvoja e deritashme më ka sugjeruar, që nëse ti vazhdon të argumentosh me dokumenta, me fakte, me dëshmi, me të gjitha mënyrat që ushqejnë arsyen, mos u lodh: në vend të mirëkuptimit nga oponentit komunist lind gjithmonë, pashmangshëm, MURI. Ti kujton se je duke ushqyer arsyen e mendimin me fakte sistematike, që e ndriçojnë atë, por ajme! Më kot! Regimi botëkuptimor i një komunisti këlthet: Aq më keq për faktet! E kotë kjo punë: ti kujton se po të dëgjojnë, por jo: ndërsa t’i flet, prore e papushim në trurin e një komunisti vërtitet i njëjti “disk” me po ato të vërteta të ngulitura në jetë të jetëve.
4. Z. Xhufi rren “si komunist” kur thotë si i paskam thënë (“këlysh blloku” – “siç ka qef të shprehesh ti” – shtom ai). Le ta dëshmojë këtë Xhufi, të folur apo të shkruar, ndryshe, si quhet një njeri i tillë kur nuk e provon? Një analizë psikoanalitike do t’ia shpërfaqte më mirë rrënjët, sepse mor i uruar, “kur s’ke pula, pse bën ysh?”. Në psikoanalizën e sotme, ka një term (nocion), që e shpjegon mirë këtë natyrë të Xhufit: quhet “egofallocentrizëm”.
5. Dhe një sqarim rreth idiomës së Xhufit “djalli fshihet në detaje”, për dy mbiemrat e Xhufit. Unë i kërkova Xhufit ta sqarojë dhe aq, si kundër-reagim i alibisë djallëzore, që vetë Xhufi lëshonte, pa pasur bazë, mbi shkollimin tim dhe ndoshta, për ndonjë frymëzim “prosllav”. Çfaj kam unë pse Xhufit çdo shpifje i kthehet boomerang? E sa për frymëzimin tim “prosllav”, Xhufi përdor armët e shëmtuara të goditjes nën brez. Ai harron se ka të bëjë me nipin e njërit gjysh që ka luftuar me sërbë e malazezë në Tarabosh të Shkodrës dhe të një tjetrit që, në të njëjtin vit, ka luftar për mbrojtjen e Dibrës, përkrah vulnetarëve Elez Isuf Ndreut, e mandej, gjatë pushtimit, ka qenë partizan. Le t’i vërifikojë Xhufi, se nuk janë ngjarje aq të largëta sa mesjeta. Nuk po flas për polemikat e mia në shtypin rus në mars 1999 (njëra me titull “Falsifikimi i historisë – shkas për spastrime etnike”, e përkthyer mandej dhe e botuar në shtypin tonë), e që për këtë arsye, u munduan ta përjashtojnë nga Instituti “Gorki” (kufizuar me “paralajmërim përjashtimi”).
6. Sipas Xhufit unë qenkam një person me rrezikshmëri të madhe për të gjitha krahët, si për të përndjekurit, ashtu dhe për të tjerët, sepse, ndër të tjera, thotë Xhufi “ky njeri po hedh në erë një nga veprat më fisnike e më të vlerësuara botërisht të shqipatrëve, atë të shpëtimit të hebrenjve gjatë luftës së dytë botërore”. Dhe kujt ia thotë këtë? Bash personit, që në gusht 2012, në qëndrimin e tij në seminarin tetëditor në Auschwitz, mbajti pikërisht 30 minuta ligjëratën qëndrore me materiale audiovizuale mbi shembullin e vetmuar shqiptar të mbrojtjes së hebrenjve. Por Xhufi thotë njërën gjysëm e nuk thotë, se me iniciativën e kujt u shpëtuan hebrenjtë. Populli është një koncept abstrakt, pa kallëzuar protagonistët e asaj ndërmmarrjeje. Nuk i thotë, se s’ia nxë goja, që këtë ta ketë bërë qeveria “kuislinge, kolaboracioniste” shqiptare, me personazhë të tillë si Mustafa Merlika Kruja, Mark Gjomarkaj, Ejëll Çoba, Xhevat Korça, etj., të cilët u shpërndanë hebrenjve nëpër viset e Kosovës ku ishin pasaporta shqiptare me emra myslimanë dhe madje, i sollën në Shqipëri të organizuar, me autobusët e shqërisë italiane SAT. Nuk e thotë as se vetë kjo qeveri “kolaboracioniste” i shpërndau nëpër zona të ndryshme të Shqipërisë. Të paktën sot ka në shqip një literaturë të bollshme dhe z. Xhufi, po të mos ishte përtac, të kishte lexuar së paku librin monografik të Shaban Sinanit “Hebrenjtë në Shqipëri – prania she shpëtimi” (“Naimi”, 2009). Sipas mentalietit të z. Xhufi, ky lloj kolaboracioni i qeverisë së asaj kohe, duhet mbajtur fshehtë, sepse çdo gjë e saj duhet sharë me kundërvënien dikotomike bardhë e zi. Po kjo është një histori tjetër. Veçse nuk pamë njëherë që sivëllezërit e Xhufit të merren me kolaboracionizmin poshtërues të PKSH-së (PPSH) me jugosllavët, sovjetikët, kinezët, me dreqin e me të birin…
7. Si një argumnt përmbledhës mbi “Auschëitz-in shqiptar, kampin e shfarosjes së Tepelenës. Duhet të dimë një gjë: këtë çështje, tok me krahasimin “Aushvic”, e ka hapur Xhufi, siç e thotë dhe vetë, dhe jo unë. Pra vetë Xhufi ma faturon, pa e artikuluar unë. Meqë e bën vetë Xhufi krahasimin, atëherë mua ç’më mbetet? Të përforcoj krahasimin e tij! Ja krahssimi, natyrisht, me shkallën zvogëluese demografike, por jo cilësore:
– Nazistët i koncentruan hebrenjtë në Aucshwitiz në bazë të një platformës raciste për shfrytëzim e zhdukje;
– Komunistët e Enver Hoxhës i koncentruan familjet e mëdha nacionaliste të Veriut (mandej dhe të jugut) në Turan-Bënçë për t’i shfrytëzuar si skllevër dhe për një zhdukje të ngadaltë, çka konfirmohet nga dëshmitë;
– Nazistët i mblidhnin hebrenjtë pa dallim, familjarisht;
– Komunistët shqiptarë merrnin familjet e kundërshtarëve, të paftë e të pambrojtur (foshnja, fëmijë, gra e pleq);
– Puna në kampet naziste, nuk krahasohet dot më bartjen e një gjysmë metro kub drush për grua në një distancë 7-10 km faqe mali, as me hapjen e kanaleve, e punë të tjera të rënda nga 16 orë;
– Nazistët u jepnin rroba hebrenjve (Pelixhet, palltot, pizhamat me vija), komunistët shqiptarë, jo;
– Kushtet e jetesës në kapanonet naziste prapë ishin prapë më mirë se sa në kampin e komunist shqiptar Turanit dhe Bënçës;
– Nazistët gjithë gjenocidin ia bënin një kombi tjetër;
– Komunistët shqiptarë ua bënin shqiptarëve;
– Nazistët nuk i dhunonin (rrihnin) dhe nuk i përdhunonin hebrejkat;
– Komunistët shqiptarë, siç dëshmojnë dëshmitarët (që përputhen me raportet e CIA-s dhe OKB-së), edhe dhunonin (rrihnin) edhe i përdhunonin (çnderonin);
– Nazistët e Aucshwitiz-it e kampeve të tjera, po, i dërgonin hebrenjtë në gaz e krematorium;
– Komunistët shqiptarë nuk kishin gaz e krematorium; ata i mbanin si skllevër këto familje që të vdisnin në kushte natyrore nga uria, sfilitja dhe epidmitë. Kush të mbijetonte, të mbahej në cilësinë e pengut, derisa diktatura të ndjehej e sigurtë në slang-un e vet;
– Nazistët i kryen të gjitha këto krime të pashëmbullta gjenocidi mbi hebrenjtë në një kontekst (fjalës “kontekst” përpiqen t’i mveshin një funksion mistik z. Xhufi dhe bashkëmendimtarët e tij), pra, në kontekstit e pikut të luftës së Dytë Botërore;
– Komunistët shqiptar e ushtruan gjenocidin e tyre mbi bashkatdhetarët jashtë çdo konteksti lufte, në Paqe.
8. Ka një dallim: “Bibla” e versionit të Xhufit thotë, se kampi i përqendrimit të Tepelenës me të internuarit nga familjet e mëdha të Veriut, erdhi si reaksion i ngjarjeve pas prishjes së PKSH me Jugosllavinë, më 1948, për shkak se të prindërit e këtyre familjeve përdoreshin si “banda” terroriste kundër Shqipërisë. E në këtë logjikë të tij, qeveria shqiptare u internoi familjet në kampet e Turanit dhe Bënçës, në Tepelenë. Ky është një mashtrim i vetëdijshëm, i paskrupullt, që ka për qëllim induktimin e fajësisë historike mbi këto familje patriotike të Shqipërisë. Nuk e di pse nervozon Xhufin fisnikëria shqiptare qoftë e Veriut, qoftë e Jugut. Me gjasë, historia morale e Shqipërisë fillon për të me ardhjen në skenë të Enver Hoxhës dhe regjimit komunist.
Por unë, duke iu përmbajtur të vërtetes, kam theksuar disa herë, ndryshe nga ç’ia ka ënda Xhufit, se këto familje fisnike e patriotike të Veriut, që kishin një përvojë të hidhur luftrash me sllavët në mbrojtje të atdheut, ishin ajka nacionaliste antijugosllave, të cilët u internuan pa asnjë provë fajësie nga regjimi pro-jugosllav i Enver Hoxhës, jo në vitin 1949, siç këmbëngul Xhufi, por në vitin 1945. Është po ky kontigjent të internuarish, peng terrorist i tipit Al-Qaeda, gjithsej ferrishte, kalamaj, gra e pleq (çka s’ka qenë në konstruktin etnopsikik të shqiptarit) që u vendosën në Berat (kala) dhe Kuçovë (me lëvizje sezonale si skllevër pune), të cilët në vitin 1949 u dërguan në Turan, e mbas afro 6 muajsh, i zbritën në ish-kazermat italiane të Bënçës. Ja, pra, trajektorja e saktë e historikut, pa asnjë të çarë ku mund të fusë hundën diversioniste Xhufi. E pikërisht, në gusht të vitit 1949, kampit mortor të Bënçës i bashkohen dhe qindra familje mirditore, që u dërguan fill pas vrasjes së Bardhok Bibës e masakrës primitive hakmarrëse të Valmerit (më 14 burra të pushkatuar, pa gjyq, të hedhur bashkërisht në një gropë). Sigurisht, pas vitit 1951 aty vijnë shumë familje të tjera nacionaliste nga krahina të Jugut (20 familje nga Dukati i Vlorës), siç dëshmon me rrëfime e vizatime autori ynë i mbijetuar nga ky kamp, z. Musa Çapani. Toka të përmbyset, nuk ndryshon ky fakt që gjendet si në dokumentat e shtetit komunist, ashtu dhe në raportet e CIA-s. Të mos flasim për qindra dëshmitarët e mbijetuar.
Duke e përfundur këtë kundërpërgjigje (të fundit) me Xhufin – shpifës për nga sajesat, të lodhur për nga argumentat, dembel e të palexuar rreth çështjes, kontradiktor për nga logjika dhe tepër grotesk e qesharak për nga patosi, më vijnë ndërmend sofistët e lashtë grekë, të cilët, sapo e kapnin kundërshtarin e tij në kundërthënie, i kthenin shpinën dhe nuk e përfillnin më në jetë të jetëve.

Dëshmia rrëqethëse – Kurt Kola nxjerr emrat për “Tepelenën”: Si vdiq vajza e Abas Kupit me burrin

Ne vijim te deshmive te tmerrshme me ato qe ndodhin ne kampin e Telepenes, gjate diktatures, e teksa vlon debati mes historianesh, nese eshte apo jo, Aushvici, vjen nje rrefim rreqethes i ish te perndjekurit, Kurt Kola.

tepelena

Ai ka treguar momentin e inaugurimit te kampit te Tepelenes dhe castin kur kamionet me te internuar po i drejtoheshin godines. Duke nxjerre emrat e arkitektit, komandantit dhe komisarit qe rrinin ne krye e fund te kamioneve, ai kujton castin e tmerrshem kur makina u vervit ne humnere dhe gjeten vdekjen vajza e Abas Kupit me te shoqin.

 

Postimi i Kurt Koles 

Inagurimi i kampit terrorist te Tepelenes.

Naten e 15 prullit 1949, rreth 100 kamione ushtrie me te internuar te bashkuar Jug–Veri nje muaj me pare ne Berat, kalojne mbi uren e Gorices drejte Jugut…. Komandanti e komisari, Xhafer Pogaci e Syrja Bajrami, njeri printe autokolonen e gjate, tjetri ne kamionin e fundit. Majori, arqitekt i ketij kampi, Niqit Andoni, me nje grup oficere te MB. hipur ne nje kamjocine, kontrollonte, here para, here mbrapa autokolonen…. Pertej mesnate, kur njerzit e lodhur dremisnin mbi makina, kamiini ku ishte komisari mori rrokullimen teposhte rrepires se malit… Komisar Syrjaj dhe shoferi ushtarak, pasi kishte drejtuar kamionin nga rrepira, kishin zbritur dhe shikonin te qete viktimat, duke rene neper shkurre!!….. Te internurit zbriten e turren te gjejne viktimat….. I mblodhen neper dushknaj dhe i sollen ne xhade… Dy te vdekur: Fadil e Zyra Petrela ( Kupi) bija e Abas Kupit… 26 te plagosur, me thyerje kembesh, krahesh e brinjesh….. Zoti i Madh kishte ruajtur pa asnje gervishtje 4 djemte e bashkeshorteve te vdekur, te moshes 2 deri 12 vjec!!!! Pas kembenguljes te internuarve u thye majori kriminel Niqit Andoni qe donte nje varr te perbadhket! Me mjete rrethanore te internuarit hapen dy varre dhe varrosen bri njeri-tjetri burr e grua ne moshe rreth 40 e 35 vec!! Nuk di nese djemte i kane marre eshtrat e tyre e rivarros ne Tirane? Asnje pergjegjesi, as proces- verbal nuk u mbajt per kete krim, sepse ishte i planifikuar qe kampi i eksperimenteve te torturave te fillonte me nje masaker….
Duke qene “banor” i ketij Buhenvaldi komunist fillim– mbarim, do te pasqyroj, ne vijimsi tmerret e perjetuara aty! Kurt KOLA.

Pse nuk e ze gjumi naten Xhufin? Sepse u krahasoka Hoxha me Hitlerin? – Nga MATILDA MIRAKAJ

 
Ne US para një jave, një vajze e çmendur, në lufte me Youtube, shkoj e plagosi tre vete përpara se të bente vetvrasje. Familja e saj e tronditur dhe e turperuar perpara opinionit public kerkoj ndjese për dhimbjen që vajza e tyre shkaktoj tek të tjeret.
Para një jave një familjar i diktatorit që vrau e preu pa mëshire, dhe më keq akoma, shkaterroi një popull të terë me gjenerata, mundohet te na tregojë se çfarë ndodhi me familjet tona. Me paturpesi mundohet të ver ndonjë bizhuteri në lakuriqsine e turpshme të krimit.
Pse nuk e ze gjumi naten Xhufin? Sepse u krahasoka Hoxha me Hitlerin? Po me Stalinin krahasohet? Stalini, Pol Pot e shumë kriminele të kuq. Edhe gjate debatit në Studion e hapur, përmendi legjenden popullore, se si gjoja Enveri kishte vrare bebe të vogla ti pinte gjakun e të rinohej. Duke prure krahasime të tilla të ezagjeruara ai mundohet të tregoje se kjo pjese e turpshme e historise se Shqiperise është një legjende “ekstravagante” siç shprehet ai.
Ah, paska edhe hallin e kombit. Ka hall se po njollosim shqipetaret si kriminelë. Krimineli dhe shenjti është dualismi i fshehur në çdo qenje njerzore. Mjaftojnë kushtet për të nxjerre njerin apo tjetrin karakter. Popuj me kulture evropiane e kanë treguar kete gjate historise. Francezet me revolucionin e tyre të famshem nxorren shume kasape që prene koka pa fund. Ne një rast nje prift në Nantes mblodhi në anije qytetaret dhe që të mos harxhonte kohe e plumba ja futi me top anijes me popull të pafajshem. Gjermanet e bene më vone me kampet e tyre të famshme.
Njeriu ne qenien e tij të thelle e ka instiktin e të mbijetuarit dhe të vrasesit. Ajo që e ben jo kafshe, është analiza, ligji, e njohura e të keqes dhe të mires, feja, besimi. Në qoftë se nuk është në gjendje të shoh se sa poshte mund të shkoje nuk ka për ti thene vetes kurre, stop! O Zot mos më ço në tentacion, luten besimtaret çdo ditë.
Nje alkoholist apo dipendent drogash, në qoftë se do ti jap fund të keqes që e dominon, fillon duke njohur vetveten. Duke e ballafaquar atë me grupin. Fillon duke treguar se kush është dhe vesin e tij. Vetëm athere fillon rrugen drejt sherimit. Është një proçes që nuk perjashton individin dhe as shoqerine.
Ne Shqipëri u pre metstaza kanceroze nga trupi I saj por qelizat kanceroze kanë hedhur rrenje dhe shumfishohen duke oksiduar gjiçka për rreth dhe krijojne një rremuje të pakontroll.
Nuk dua ti jap rendesi Xhufit por fenomenit Xhufi. Ai vete nuk ja vjen. Është një pseudo historian. Por që të diskutohet akoma graviteti i kampeve më pleq gra e femije, është e tuprshme për një vend që troket në dyert e Evropes.
Nuk dua gjithashtu ta personalizoj kete shkrim me tregimet dhe lotet pa fund të gjyshes time dhe të shumë të tjerave që mbijetuan kto tmerre. Vetem diçka të vogel kutoj qe pasqyron historine e atyre viteve. Gjyshja ime lindi 4 fëmije, dy vajza dhe dy djem. Dy vajzat i vdiqën të vogla, njera 6 muajsh dhe tjetra, Donika të cilen e kujtonte shpesh 2 vjeç e gjysëm. Gjyshja ime Gjina ishte njeriu më i pastër dhe i bute në shpirt që kam njohur gjate jetës time. Me mall tregonte për të voglen engjell që kish humbur, per kaçurelat e arta që i binin në mollzat si qumesht e pak bojroze. Dhe gjithmone e mbyllte ate bisede me pshertimë dhe thoshte. Shyqyr që vdiqën e nuk I provuan kampet. Nje nene që kishte arritur në perfundimin tragjik se humbja e femijes, e loçkes si thone nenat shqiptare, ishte më mirë se jeta. Në vitet e fundit të jetës së saj, harresa mbeshtolli kujtimet e errta dhe ne që na donte si dritën e syrit, shpeshhere nuk na njihte më. Por ajo që zuri rrënj në trurin e saj e nuk u shkul deri sa mbylli syte ishte tmerri i urise, jo për vete por për djemt e saj. Deri në ditet e fundit kur s’njihte më askend dhe nuk e kuptonte se ishte në një shtepi të bukur në Long Island, më pyeste. A mi ke pa djemt? A kishin më hangër? Kur jeta po rreshqiste ngadale prej trupit të saj të lodhur, nuk shihte dot pishinën e kalter nga dritarja, por kampin më gjemba të Tepelenes të gdhendur në kujtesen e saj.
Xhufi me shoke është metafora e DNA‘s të ndergjegjes kolektive që është thyer, hallka e keputur qe dobson zinxhirin e jetës dhe moralit.
Xhufi me shoke është një pengese e progresit shpirteror që ka nevoje populli shqiptar. Është një çarçaf që mundohet të mbuloj kalbesiren e historise por qelb më eren toksike te ardhmen. Hesht Zoti Xhufi. Pa u futur thelle në jeten tënde vetëm afersia fizike me djallin diktator të bën të felliqur. Hesht dhe mos pengo një popull të pastrojë vetveten.
Zoti Xhufi dhe rraca juaj, kur hapni gojen e flisni për të kaluaren, merrni shembull nga familjarët e vrasesve masive ne vende të qytetruara dhe kerkoni ndjese për familjaret tuaj. Ndjese për dhimbjet që shkaktuan. Eshte e vetmja here që ju lejohet moralisht ti drejtoheni opinionit publik.

SHQIPET E KOSHARES QË SHEMBËN PIRAMIDAT MES SHQIPTARËVE KRUSHQ LIRIE NË DASMAT E ATDHEUT – Nga Azgan HAKLAJ

 

 

Një Komb të gjallë dhe të vdekur apel Sulltan Ramës

Jo më kufi mes shqiptarëve

Beteja e Koshares e 9 prillit të vitit 1999 është një nga betejat më të lavdishme të historisë së kohës së re të shqiptarëve.

Ajo është qendra e gravitetit shqiptar, epiqendra e perimetrit ku historikisht shqiptarët janë ndeshur me armiqtë tanë shekullorë.

Në këtë perimeter të lavdishëm janë përleshur Kreshnikët e Jutbinës me krajlitë serbe, Gjergj Elez Alia me bajlozët e detit.

Këtu janë organizuar kryengritjet e para kundër Reformave të Tanzimatit, aksionet e para të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për mbrojtjen e trojeve tona etnike nga coptimi, nga traktatet e kongreset e hartuara në kurriz të tyre nga Fuqitë e Mëdha, për të paguar haraçet e Perandorisë Osmane të mundur.

Prej këtej e nisën turravrapin drejt Lidhjes Shqiptare të Prizërenit Mic Sokoli, Sylejman Vokshi, Ali Ibra. Nga Tropoja fluturoj Tahir Sinani si shqiponjë për Kosovë, Preshevë, Shkup e Tetovë.

Këtu janë zhvilluar luftrat e përgjakshme të viteve 1909- 1910 në Qafë të Morinës me ushtrinë e Turgut Pashës.

Kosharja shtrihet përballë Shkëlzenit madhështor, qendrës së Shqipërisë Etnike.
Ajo shërben si kurorë e Junikut të lavdishëm, djepit të Kuvendit të 21-25 majit të vitit 1912, ku u mblodhën 250 delegatë nga të gjitha trojet etnike të Kombit Shqiptar dhe hartuan Platformen e Kryengritjes së Përgjithshme që çoi në Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe ngritjen e Flamurit nga plaku i urtë i Vlorës, Ismail Qemali. Truri i këtij Kuvendi, Hasan Prishtina, i mbështetur fort nga Bajram Curri dhe Isa Boletinn lëshoi Proklomatën ” Shpëtim a vdekje”.

Në 100 vjetorin e Kuvendit të Junikut zëri brilant i Shkurte Fejzës evokoi historinë në vargje të poetit Hamit Alia Mjeshtër i Madh:

“O Junik me kulla guri,

Prej tek ti u nis Flamuri.

Prej n’Koshare n’Kaçanik,

Thërret Kosova: o Junik”.

 

Ne Tropojë u mblodh Kuvendi i Bujanit dhe u kërkua Bashkimi Kombëtar pas Luftës së Dytë Botërore sipas Paktit të Atlantikut, të Drejtës së Popujve për Vetë vendosje.

Prandaj në Luftën e UÇK-së, Tropoja, u ba mbështetja kryesore për të përmbushur ëndrrën e mbetur përgjysmë.

Në Junik ranë heroikisht dragonjtë Bedri Shala, Bekim Berisha, Elton Zherka, Permet Vula, me 10 gusht 1998.

Këtë vepër sublime na e përcjell me dhimbje e krenari zëri piskamë i kantautorit Ilir Shaqiri:

 

“Kush vjen nga Tropoja,

Nga po vjen ushtima,

Thonë vjen Bedri Shala,

Thonë vjen Bekim Berisha,

Kullat e Junikut nga një gjamë e lëshojnë

Bedriu dhe Bekimi thonë: k’tu do të luftojmë”.

Në djepat e Junikut u përkund Edmond Hoxha, i cili ra heroikisht me Zahir Pajazitin e Vushtrisë, dhe Hakif Zejnullahun e Llapit, më dt 31 Janar 1997, të cilët ishin pushkët e para të lirisë.

Në odën e Met Shalës në Junik shtrëngoj duart me plakun me plis të bardhë e me mustaqe “buldozeri i Ballkanit”, Richard Holbrooche. Në foto, prapa burrit me plis e mustaqe, shihet Flamuri Kuq e Zi, ndërsa pas shpinës së Holbroochet Flamuri Amerikan, çka do të thotë Çertifikim ndërkombëtar i UÇK-së.

Djem e vajza nga të gjitha trojet Iliro-Dardano-Arbërore dhe nga Diaspora u rreshtuan në rradhët e UÇK-së dhe qindra prej tyre ranë heroikisht në luftime të përgjakshme me makinerinë e satrapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviçi.

Ata ju kishin përgjigjur thirrjes së Atdheut me moton: ” Një Komb një qendrim”:

Jam çlirimtar, jam në trojet e mia.

Kur thërret Atdheu në këmbë Shqiptaria.

 

Beteja homerike e Koshares, më dt 9 prillit 1999, është më e përgjakshmja, më e vështira për shkak të terrenit të thyer, pozicionit strategjik të Rrasës së Zogut 1.600 m mbi nivelin e detit, me mbi 1 m. borë, dukshmëria e dobët, me forca të pabarabarta, e armatim simbolik përballë ushtrisë serbe ku kishte të inkuadruar edhe oficerë rus. Luftohej në distancë të afërt dhëmb për dhëmb e trup me trup, për çdo metër për çdo pëllëmbe tokë.

Operacioni i Brigadës 138 titullohej “Shigjeta”, hartuar nga djaloshi i Karadakut Agim Ramadani, me nofkën “Katana” dhe Sali Çekaj, me nofkën “Veterani”.

Aktet heroike të kësaj luftë na i përcjell kënga popullore:

“Shqip kur flet gur e lis

E çajnë qiellin përmjedis.

Për Kosovën jap dy jetë.

Vdekjen time e vras vetë.

Kush është trim, kush është djalë,

Zot Atdheut për me i dalë,

Pasha qiell e pasha dhé

Plumba s’kanë sa jemi né”.

Kjo luftë spartane, gjakatare, e dhimbshme por heroike na kujton Betejën e Termopileve, ku Leonidha me 300 spartanë u ndesh me ushtrinë e madhe të persëve të Kserksit. 300 spartanët ranë në fushëbetejë nga i pari tek i fundit. Ata luftonin, pavarësisht humbjes së armëve, duke përdorur thonjtë dhe dhëmbët në përpjekje për të kafshuar dhe për të shkuar drejt fitores duke u çjerrë. Vrisnin vehten e nuk dorëzoheshin të përballeshin me turpin.

Gladiatorët e Brigadës 138 ‘Agim Ramadani” ngjiteshin Rrasës së Zogut si shqiponja në gurë.

Ashtu si nënat spartane kur përcillnin djemtë për luftë i porositnin: “Kthehu me mburojë ose mbi të”. Edhe Ajkunat e Kosovës u kërkonin Omerëve të tyre të shtrenjtë: “Kthehuni me fitore ose mbështjellë me flamur”.

Trimat e Koshares përseritën Epokën e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.

Ashtu, si në Albulenë, më 2 shtator të vitit 1457, Heroi ynë me ushtrinë e tij shpartalloi 80.000 ushtarë të ushtrisë turke edhe UÇK-ja e lavdishme shpartalloi ushtrinë serbe dhe shembi kufirin.

Operacioni “Shigjeta” ia doli të shembë kufirin mes Shqiptarëve e hapi korridorin e furnizimit me armatim e mbështetje logjistike. Shembja e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë kishte rendësi juridike në të Drejtën Ndërkombëtare.

Kjo ua bënte të pamundur forcave serbe kontrollin e territorit që ndante një Komb në mes.

Në Koshare u shemb Kufiri, që ishte thyer më 6 maj të vitit 1997 në Vlahen të Hasit në drejtim të Kuzhinit, që përkon me ditëlindjen e Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeut.

Forcat okupatore u kishin zënë pritë flakadanëve të Lirisë, që u printe Luan Haradinaj. Luani ishte me Ramushin, Femi e Xhevë Lladrovcin, Emrush Xhemalin, Iliaz Kodrën, , Ali Ahmetin, Selim Krasniqin etj. Në këtë përleshje të përgjakshme ra Luani dhe u plagosën Ramushi dhe Femi Lladrovci. Forcat okupatore kishin goditur me armë të rënda altilerie me qëllim për të asgjësuar të gjithë luftëtarët shqiptarë.

Ndonëse i plagosur, Simboli i Qëndresës Shqiptare, Ramush Haradinaj, përmes plumbave dhe granatave e tërheq trupin e pajetë të vëllait e mban mbi supe për katër orë dhe e varrosin në Vlahen të Hasit për ta rivarrosur, më dt 24 gusht të vitit 1999 së bashku me luftëtarët e tjerë në Gllogjan.

Veprën e Luanit, dhembjen e krenarinë për të, na sjell zëri i spikatur i Ilir Shaqirit:

“Gjoksi i Luanit një qiell me furtuna.

Bëhen tok e rrjedhin dy Drinat e Buna.

Gurin e kufirit e shkul si dhëmballën,

Mbi krater vullkani trimi e hedh vallen”.

 

Trimat e Kosharës shembën Kufirin që e kishin thyer në mëngjesin e acartë të 14 dhjetorit të vitit 1998 Mujë Krasniqi (Komandant Kapuçi) me 36 luftëtarët e tij, të cilët ranë në mënyrë heroike. Ushtria dhe policia serbe u kishte organizuar pritë në vendin e quajtur “Te likenet e Hasit”, në Gorozhup të Pashtrikut.

Mujë Krasniqi ishte komandant i Brigadës 113 të Zonës Operative të Drenicës.
Ai ka qenë pjesëmarrës në daljen publike të UÇK-së në fshatin Llaushë të Drenasit, ku në varrimin e mësuesit Haliti Geci, vrarë nga forcat serbe, Mujë Krasniqi bashkë me Rexhep Selimin dhe Daut Harajdinin, më dt. 28 nëntor 1997, bënë publike daljen e UÇK-së.

“Kapuçi” ka udhëhequr njësitin e tij në ofensivat e UÇK-së në zonën operative të Drenicës dhe në zonën e Dukagjinit. Në nderim të veprës së tij në vendlindje, në Klinë, organizohet çdo vit Festivali ” I kendojmë lirisë”, më dt. 6 , 7,  8 qershor.

Brigada 138 “Agim Ramadani”, që operonte në Zonën Operative të Dukagjinit, me Komandant Ramush Harajdinin, e përmbushi detyrën, perfundimisht e shembi Kufirin.

Më datë 9 prill piramidat ranë.

Për disa ditë është bërë luftë përtej fantazisë njerëzore.

Krojet e gjakut rridhnin nëpër Rrasen e Zogut e bashkoheshin me përroin ku trimat çdo mëngjes lanin sytë, rruheshin e kriheshin duke u parë në ca pasqyra të vogla që mbanin në xhepa me qëllim që të bëheshin të bukur para vdekjes.

Shumë prekëse janë pamjet që transmetonin kamerat e vëllezërve Ismail e Ilir Buçpapaj. Në një krah luftohej, në anën tjetër marigotë qendisnin Flamurin Kombtar. Ashtu si luftëtarët e Aleksandrit Madh, Pirros së Epirit, Gjergj Kastriotit kërcenin dhe këndonin para se te hynin në luftë edhe luftëtarët e UÇK- në terren ja merrnin Këngës së Patriarkut të rapsodisë shqiptare, Dervish Shaqja:

“Moj Shqipëri, mos thuaj mbarova,

Se djemtë e tu hala janë gjallë.

Rrept’ është çue në këmbë Kosova,

E bajnë luftën ballë për ballë”.

Buçpapajt me kamerat e tyre mbajtën lart moralin e luftës duke transmetuar aksionet heroike të pishtarëve të lirisë.

Gjatë luftimeve ranë në fushëbetejë për të mbetur në altarin e lirisë më dt. 11 prill, poeti, piktori, anëtari i Akademisë Europiane të Arteve, Komandant “Katana”, Agim Ramadani. Gjatë luftës u tregua strateg i zoti, i pari që shembi Kufirin. Pas thyrjes së kufirit ra në Zharet për të mos vdekur kurrë e përjetësuar në këngë.

“ n’ Malet e Koshares shkrep një pushkë e vjetër.

Me lirinë moj loke djali po t’vjen n’Zhegër.

Prapë në Dardani po bie tupani.

Vjen n’dasëm t’Kosovës, Agim Ramadani”.

Me 14 prill, në Majën e Gllavës, vritet trimi nga Tetova, Mujdin Aliu. Populli e këndon:

“Jam djalë nga Tetova, me ka thirrë Atdheu.

Vetë Adem Jashari, gjaku i Skënderbeut.

Lamtumirë, moj loke e ti o babë Qerimi,

Vet me mesuat si duhet Atdheu, si bëhet betimi”.

Më dt. 19 prill, vritet Sali Çekaj, me nofkën “Veterani”, intelektuali, juristi, oficeri gueril, veprimtari i madh që nga Protestat e Vitit 1981 që diti në mënyrë unikale të gjitha cilësitë që kishte t’i përdorte pa u kursyer në shërbim të Atdheut e çështjes Kombëtare.

Gjatë luftimeve të ashpra ranë në fushën e nderit 114 dëshmorë që prehen në lëndinat e Koshares, në hijen e lisave.

Ata ranë për të mbetur lisa të rritur mbi eshtra që kanë vetëm një Atdhe.
Lulekuqe që çelin mbi gjakun e derdhur sa herë vjen pranvera. Ata janë rreze dielli në sytë e fëmijëve, kokërr loti në faqet e rrudhosura nga dhimbja të nënave që kanë humbur djemtë, cicërimë zogu, sy shqiponje, vetëtimë muzgu dhe agu, krushq lirie në dasmat e Atdheut, përmendore e shpirtit të Kombit. Çdo vit i kërkojmë tek guri i kufirit, ku reja shkrepi e gjaku rrodhi damarëve të tokës.

Në këtë përvjetor të 19- të që përkon me 10 vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, më 20 vjetorin e Epopesë legjendare të Jasharajve dhe Haradinajve, me Vitin Jubile të Gjergj Kastriotit, janë Krushq Lirie në sofër të parë.

Nderim të veçantë e përkulje me respekt për protagonistët e kësaj Beteje që shembi kufirin mes shqiptarëve.

Mirënjohje për heronjtë e vdekur dhe të gjallë si Agim Ramadani, Sali Çekaj, Mujdin Aliu, Nuhi Tahiri, Abaz Thaçi, Rrustem Berisha, Hisen Berisha, Mehmet Fetahu, Nasim Haradinaj, djemtë e Tropojës: Xaj Çela, Rakip Sadiku, vëllezërit Kuçana, Rexhep Kortoçi, Hysni Neziri, Xhevahir Selmani, Bylbyl Breçani, Feriz Trezhnjeva e Avdyl Trezhnjeva.

Gjaku i derdhur për shembjen e kufirit, për liri e pavarësi, është apel për Sulltan Ramën.

Një Komb i tërë, të gjallë dhe të vdekur, i thonë “Jo më kufi mes Shqiptarëve”.
Një Komb i tërë, të gjallë dhe të vdekur, i thonë Edvin Duçes, Edvin Hitlerit, nuk mund të vendosesh kurrë kufi të shembur me gjak e jetë njerëzore të dhëna në lule të rinisë.
Shqiptarët, të mbështetur nga Amerika dhe NATO-ja, nuk do ta lejojnë instalimin e kalifatit tënd me mbështetjen e Erdoganit dhe Putinit, duke ushqyer neo-otomanizmin e neo-bizantizmin.

Shqiptarët do t’i thonë “Jo, Jugosllavisë së Re”, që Edi Rama po përpiqet ta bëjë me Vuçiçin; “Jo shitjes së pasurive kombëtare”. Do të mbrojnë me çdo çmim Çështjen Çame e Sovranitetin Kombëtar. Do të mbrojnë me çdo çmim Simbolet Kombëtare e Vlerat e Demokracisë. Tani e ka fjalën Sovrani Popull.

 

Azgan HAKLAJ

Veliaj tek Janullatosi: Do ringremë kishën e Shën Prokopit tek liqeni

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj uroi sot të gjithë besimtarët e krishterë ortodoksë me rastin e festës së Pashkës. Ai mori pjesë në pritjen e Kishës Ortodokse ku i përcolli urimet Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij, Anastas Jannullatos, dhe përmes medias gjithë besimtarëve të tjerë që festojnë sot. Kreu i Bashkisë së Tiranës tha se kjo ditë duhet t’u shërbejë çdo kujt për të ringjallur shpresën por edhe për të qenë më pranë të pamundurve.

“Ju uroj të gjithëve gëzuar! Një ditë shumë e bekuar sot dhe shpresoj shumë që, ditë të tilla na bëjnë edhe të reflektojmë pak për gjërat që na bashkojnë, që janë shumë më të mëdha se ato që na ndajnë. Në një vend që është i ngarkuar, që zien, që merret me cic-mice dhe me debate që ndoshta ndonjëherë nuk meritojnë të jenë kaq dramatike sa i bëjmë, ditë si e sotmja na shkarkojnë pak energji. Unë fillova ditën shumë mbarë sot, pagëzuam bebin e parë që i kam dhënë çekun e bebes kur fillova si kryetar bashkie, kështu që Sotiri i vogël sot kishte pagëzimin”, tha Veliaj në urimin e tij.

Në këtë ditë të shënuar për të gjithë mesimtarët ortodoksë ai dha për ta edhe lajmin e mirë për rigjallërimin e Kishës se Shën Prokopit në Kodrat e Liqenit të Parkut Artificial. “Bashkë me kryepeshkopin kemi finalizuar planet për ringritjen e Kishës së Shën Prokopit. Kisha që u prish gjatë kohës së komunizmit dhe u kthye në restorant, u rikthye në kishë, po ende duket si një restorant i stilit sovjetik. Kështu që, më në fund arkitektët e bashkisë dhe të kishës ortodokse kanë rigjetur të saktë të gjithë dizenjot dhe planin e kishës së vjetër dhe besoj në një kontekst fantastik si liqeni që është transformuar, rikthimi i kishës në vendin ku ka qenë, siç ka qenë, është qershia mbi tortë”, u shpreh Veliaj.

Sipas tij, në bashkëpunim edhe me Kishën Ortodokse do hapet një tjetër mensë sociale, ku ata që janë nevojë mund të gjejnë një vakt të ngrohtë. “Më vjen shumë mirë që Kisha Ortodokse Autoqefale Shqiptare na është bashkuar me një mensë tek zona e Shkollës së Kuqe. Bashkia ka hapur 6, por edhe ndihma që po na japin kishat, xhamitë, institucionet e tjera, përfshirë dhe Kishën Ortodokse është për t’u vlerësuar”, deklaroi kryebashkiaku Veliaj.

Individi shqiptar, Aushvici… Tepelena, dhuna verbale

Ben Andoni – Në të gjithë debatet që bëhen në vend, lexuesi, shikuesi dhe dëgjuesi kanë perceptimin se jetojmë në dy Shqipëri. Në atë njërën e perceptuar nga të mirët dhe tjetrën të përvijuar nga të këqijtë. Për një fakt të njëjtë dhe gati kategorik, siç mund të jetë dokumenti real, ka interpretime të ndryshme që në fund të debateve shterpë i humbasin kuptimin vetë domethënies së faktit

Aq shumë përflitet dokumenti dhe relativizohet çdo gjë, saqë dhuna verbale që ushtrojnë debatuesit të bën të harrosh vuajtjen dhe tmerrin dhe të bësh protagonizmin. A ka rëndësi se vdiqën 5. 10, 20 apo 30 fëmijë, apo 300 syresh? Jo është Aushvic. Nuk është Aushvic. A duhet t’i gjejë dikush varret e tyre? Kush i vrau? Pse u detyruan të vdisnin?

Shqipëria ka një specifikë interesante sepse çdo organizim shtetar që ka përfaqësuar sistemin ekonomiko-shoqëror i është kundërvënë ashpër dhe pa kushte paraardhësit. Sistemi monarkik nuk i fali paraardhësit, kurse arriti që të izolojë deri me litar çdo sens republikan në vend. Sistemi komunist shkoi më tej: E filloi shkrimin e historisë pas vitit 1944 dhe gjithçka të bërë deri më atëherë e nxiu në mënyrën më bajate. Për të ardhur në vitin 1990, kur të ashtuquajturit demokratë dhe socialistë, si derivate të vërteta të PPSHsë, jo vetëm mohuan gjithçka të bërë para këtyre kohëve, por u përpoqën të ngrenë një realitet tjetër. Maskimi u krye mrekullisht. Brenda ligjërimit politik të ashtuquajtur demokratik, janë sajuar dy grupime, që atakojnë gjithçka që bëhet nga tjetri. Kështu individi shqiptar humbet në një qerthull, që mbushet me lloj-lloj simbolikash, së fundmi për interesa të ngritjes së historisë së persekutimit.

Por, po bëhet kaq e shëmtuar kjo, sa përpjekja për të sjellë në mëndjen e publikut kujtesën e diktaturës ka reflektuar nulitetin total ndaj qasjes së problematikës. Dosjet e hapura, deri më tani, thjesht kanë treguar gjëra të stërpara dhe të stërdëgjuara megjithë zhurmën e shumë individëve për t’u evidentuar. Ndërkohë, në këtë angazhim sot e kësaj dite nuk është bërë gjë me të zhdukurit, ashtu si nuk dihen për shumë nga gjërat që lidhen me të pushkatuarit etj. Derivatet e PPSH-së nuk mund të shkonin më shumë se kaq edhe në parashimin më të mirë. Pasojat e kësaj tollovie është sot fakti sesi identifikohen simbolet e keqes në vend. Kohë më parë, tifozët e ekipit sportiv të Tiranës për të shprehur armiqësinë me tifozët kundërshtarë të “Partizanit” do të shkruanin një një banderolë të madhe: “Juve jeni për në Aushvic”. Pa marrë parasysh faktin që ky episod kaloi pothuaj pa asnjë telash për tifozerinë, ajo zbuloi mentalitetin sesi përshkruhet dhe si identifikohet tmerri i këtij simboli në Shqipëri. Mbi të gjitha si evidentohet tjetri, madje edhe kur ai është një njësoj ose pjesë e një areali.

Në kohën e tij, Hitleri, njeriu që ndryshoi për keq fatin e Botës në dekadat e para të shekullit XX, shprehej: Dy botë përballen me njëri-tjetrin – njerëzit e Perëndisë dhe njerëzit e Satanait! Hebreu është anti-njeri, krijesa e një Zoti tjetër. Duhet të ketë ardhur nga një rrënjë tjetër e racës njerëzore….Të dy rrënjët janë aq të ndara saç është vetë njeriu dhe kafshët. Jo se unë do ta quaja hebreun një kafshë. Ai është shumë më larg edhe nga vetë kafshët. Ai është një krijesë jashtë dhe krejt i huaj edhe për natyrën”. Fjalë lunatike, por atëkohë të denja për të ndryshuar fatet e botës dhe për të ngritur një popull të tërë pas një ideologjie racash.

Duket se sfida e kujtesës në vendin tonë është mirëfilli antropologjike dhe kurdo në Shqipëri, qoftë në Demokraci, ekziston gati një ndarje antropologjike: Ata dhe Ne. Për fat të keq nga një i njëjti brum. Komunistët bënë të njëjtën gjë, kur vunë në funksion të gjithë artin dhe letërsinë për të përshkruar se ata (lexo: klasat e përmbysura prej tij ishin me probleme!) ishin krejt ndryshe, nuk ishin si të zgjedhurit. Për Arendt-in  një nga kritiket më të thella të nazizmit, theksohej se regjimi totalitar ka shkatërruar mundësinë e veprimit politik, duke i privuar viktimat e saj nga statusi antropologjik i qenieve njerëzore, fakt që përbën veçantinë e tmerrshme të Holokaustit. Dhe, aq e theksuar ishte kjo, saqë esencën e Holokaustit nuk e vë askush në numrin e viktimave, madje edhe në përdorimin e teknologjisë apo dhe burokracinë për ta zbatuar atë, por në sulmin e saj antropologjik, ‘duke i bërë qeniet njerëzore të dukeshin si qenie njerëzore janë të tepërta ‘, citojmë Arendt.

Larg debateve që po bëhen, por në vëmendjen e njerëzve, nuk duhet të jetë thjesht numri, por mënyra sesi njerëzit e pambrojtur, gratë dhe fëmijët u zhveshën nga koncepti i njeriut. Por, dhuna verbale që ushtrohet nuk e lejon këtë. Lufta e sotme në Shqipëri duket në faktin sesi dhe cili grup mund ta rrëmbejë Aushvicin, ta bëjë të vetin, pa harruar se krejt e jona është simbolika e “Tepelenës” dhe tmerri i saj, që është njësoj i tmerrshëm sa i përket individit shqiptar…me çdo fenomen dhune. Por, dhuna verbale nuk e lejon këtë, ajo do evidentimin e pak njerëzve në kurriz të çdo gjëje. Jemi Ne. Janë Ata.

Kryetari i opozitës Lulzim Basha u procedua për tubim të paligjshëm

Në Tiranë, policia procedoi penalisht 50 organizatorë dhe pjesëmarrës të protestës opozitare të ditës së enjtes, kur qindra njerëz bllokuan katër rrugë kombëtare për rreth dy orë.

Policia përmendi akuzat “Organizimi dhe pjesëmarrja në tubime dhe manifestime të paligjshme”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” dhe “Prishja e qetësisë publike” dhe “Ndotja e ajrit”.

Njoftimi i policisë përshkruan me moshë dhe iniciale organizatorët dhe protestuesit e proceduar, që bllokuan autostradat. Por shtypi vendas zbuloi midis tyre emrat e kryetarit të partisë demokratike, Lulzim Basha, dhe kryetares së LSI-së Monika Kryemadhi.

Janë proceduar po ashtu deputetë dhe politikanë të opozitës Edmond Spaho, Flamur Noka, Nard Ndoka, Arben Ristani, Luan Rama, Viktor Tusha dhe bashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi, bashkiaku i Kamzës, Xhelal Mziu dhe bashkiakë të tjerë.

Për protestën në rrethrrotullimin e Vorës në autostradën Tiranë – Durrës u proceduan 8 persona.

Për protestën në aksin Mamurras – Milot policia procedoi 23 persona, që iu bindën thirrjes së opozitës për mosbindje civile.

Për protestën në rrugën e Bradashesh policia procedoi 12 organizatorë dhe pjesëmarrës.

Për protestën në kryqëzimin e Çermës u proceduan penalisht 7 drejtues dhe anëtarë të opozitës.

Policia procedoi penalisht 4 persona për “Ndotje të ajrit”, sepse gjatë protestave dogjën disa goma në rrugë, madje tha se po punon të identifikojë edhe persona të tjerë në këto tubime.

Opozita bllokoi për dy orë të enjten 4 rrugë kryesore për të kundërshtuar pagesat e 5-22 euro në Rrugën e Kombit, duke i kërkuar qeverisë të tërhiqej nga ajo tarifë dhe disa taksa të tjera. Drejtuesit e opozitës deklaruan se ky është vetëm fillimi i përgjigjes popullore ndaj qeverisë. Kryeministri Edi Rama deklaroi në parlament se tarifa në Rrugën e Kombit nuk do të zbatohet derisa të gjendet një zgjidhje për banorët e zones së Kukësit.

Protestat u mbajtën nga opozita në Vorë, në Bradashesh të Elbasanit, në Çermë dhe në Milot. Policia njoftoi protestuesit se manifestimet ishin të paligjshme, por drejtuesit e opozitës ishin shpërndarë në të katër akset e bllokuara.

Për më shumë se dy orë nuk pati incidente, përveç djegies së gomave në Bradashesh dhe Milot, por ato tubime janë proceduar tërësisht nga policia.

Sezoni i ri: Shqipëria pret dyndje të turistëve kinezë

ARISTIR LUMEZI/ Turistët kinezë mund të vizitojnë Shqipërinë nga 1 prilli deri më 31 tetor 2018 pa viza.  Vendimi është marrë nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, ndërsa kjo masë pritet të rrisë fluksin e turistëve kinezë në Shqipëri. Ambasadorja e Republikës Popullore të Kinës, Jiang Yu, e vlerësoi Shqipërinë si një atraksion për turistët kinezë.

Ambasadorja tha se Shqipëria po shihet si një perspektivë turistike e kinezëve në Europë. Krahasuar me vendet pranë si Italia, që u vizitua nga 3 milionë kinezë vitin që shkoi dhe Greqia nga 1 milion, Shqipërinë e vizituan 10 mijë turistë kinezë. “Ne po punojmë që kjo shifër të rritet këtë vit, duke hapur kështu një perspektivë të mirë për turizmin tonë në Shqipëri. Po punojmë me operatorë turistikë kinezë për njohjen e Shqipërisë dhe të njëjtën gjë po kërkojmë dhe nga operatorët tuaj turistikë”, tha ajo.

E pyetur se çfarë turizmi pëlqejnë kinezët në Shqipëri, ambasadorja tha se prioritet zë ai kulturor me Krujën dhe Gjirokastrën, por edhe natyra e bukur shqiptare. Kruja pëlqehet për historinë heroike të saj dhe të heroit tuaj kombëtar, ndërsa Gjirokastra, edhe sepse aty është luajtur filmi “Ngadhnjim mbi Vdekjen”, që kinezët e pëlqejnë dhe gjejnë pika të përbashkëta mes dy popujve. “Ne jemi për një politikë rajonale përsa i përket turizmit, ku do të përfshihen vendet ballkanike. Turizmi rajonal është më i suksesshëm dhe këtu do të përfitojë përparësi dhe Shqipëria”, tha ambasadorja Jiang Yu.

Ambasadorja nënvizoi se në vitin 2017, 130 milionë kinezë kanë dalë jashtë shtetit për turizëm dhe shpenzimet e tyre turistike arritën në 115.92 miliardë dollarë amerikanë, gjë që e rendit Kinën, prej disa vitesh tashmë, në vendin e parë në botë si kontribuesja më e madhe në industrinë e turizmit. Politikat e liberalizimit të vizës do të jenë në favor të thellimit të shkëmbimeve kulturore, njerëzore e turistike mes Kinës dhe Shqipërisë dhe të zgjerimit të mëtejshëm të tregtisë së shërbimeve, sigurisht, në të mirën e arritjes së rezultateve të bashkëpunimit në kuadër të nismës “Një brez, një rrugë”.

Vitin e kaluar, Shqipëria ka tërhequr mbi 5.1 milionë vizitorë të huaj dhe të ardhurat nga sektori turistik dhe pritet të kalojnë 10% e PBB-së. “Kina dhe Shqipëria duhet të shtojnë bashkëpunim mbi mbrojtjen konsullore, lehtësimin e hyrjedaljes së kufirit, përpilimin e itinerareve, pritjen me guida vendore, trajtimin e rasteve emergjente etj., duke garantuar kontaktet 24 orëshe me shërbim të gjithanëshëm për të përballuar problemet që mund të ndodhin”.-tha ambasadorja.

Mosbindja civile, policia e Kurbinit procedon 23 persona

Policia ka proceduar ditën e sotme 23 persona, të cilët kanë protestuar të enjten duke bllokuar rrugë dhe duke djegur goma.

Sipas policisë për 23 personat procedimi ka nisur pasi ata kanë bllokuar rrugën dhe kanë penguar qarkullimin e mjeteve.

 

Njoftimi i policisë
Në lidhje me protestën e zhvilluar më datë 05.04.2018, ora 10:00 -12:25 , në afërsi të kryqëzimit të Kosoves, në aksin rrugor Mamurras – Milot, Njësia Administrative Milot Bashkia Kurbin, nga Komisariati i Policisë Kurbin në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin, janë referuar materialet hetimore për fillimin e proçedimeve penale për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme “ “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” “Prishja e qetësisë publike” të kryera në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 262-25, 293-25 dhe 274 -25 të Kodit Penal , për 23 organizatorët. Konkretisht për shtetasit : F.N. 47 vjeç banues në Tiranë , N.M. 53 vjeçe banuese në Tiranë, V.T. 56 vjeç banues në Tiranë , A.B. 43 vjeç banues në Tiranë, A.F. 50 vjeç banues në Tiranë, B.S. 42 vjeç banues në Tiranë P.S. 47 vjeç banues në Bulqizë, L.M. 40 vjeçe banuese në Lezhë , Xh.Gj. 55 vjeç banues në Tiranë , L.L. 59 vjeç banues në Shkoder, A.D. 48 vjeçe banuese në Tiranë , A.Z. 48 vjeç banues në Tiranë,R.Ç. 56 vjeç banues në Shkoder, Gj.U. 59 vjeç banues në Shkoder, V. A. 43 vjeçe banuese në Shkodër, B.Sh. 39 vjeç banues në Kukës, N.R. 53 vjeç banues në Burrel, B.Ç. 52 vjeç banues në Burrel, B. D. 48 vjeç banues në Tropojë, B.H. 54 vjeç banues në Milot, P.M. 50 vjeç banues në Lezhë, E.R. 24 vjeçe banuese në Laç, Z.H. 57 vjeç banues në Shkodër
Njëkohësisht, u proceduan penalisht edhe 3 shtetas për veprat penale “ “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme “ “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit “, kryer në bashkëpunim , dhe “Prishje e qetësisë publike” “Ndotja e ajrit “të parashikuar nga nenet 262-25, 293-25, 201 dhe 274 të Kodit Penal , pasi gjatë zhvillimit të tubimit , kanë djegur në rrugë disa goma. Ata janë : G.S. 16 vjeç banues në Kurbin , D.C. 16 vjeç banues në Kurbin, K.B. 16 vjeç banues në Laç. Gjithashtu, po në lidhje me protestën , janë proçeduar edhe disa persona të tjerë për pjesëmarrje aktive.
Materialet proceduriale u referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin , për veprime të mëtejshme.

Një dosje e gjallë nga kampi i internimit të Tepelenës Nga Liljana Islami

 

“Kush kontrollon të shkuarën, Kontrollon të tashmen, Kush kontrollon të tashmen, Kontrollon të ardhmen”

Xh. ORWELL

 

Në verën e vitit të kaluar, gjatë një vizite tek të afërmit e mi në qytetin e Tepelenës, duke ndënjur në verandën e shtëpisë së tyre e duke kundruar pamjen e bukurisë së egër që të jep ky qytet nga lartësitë e lagjes “15 shtatori”, mëndja bredharake u ndal tek rrënojat e fushës së qytetit, poshtë, midis lumit të kristaltë të Bënçës dhe atij të Vjosës, tek ish-kazermat e Italisë fashiste, ish-brigadës së ndjekjes së kohës së diktaturës apo Reparti 84, strukturë e ministrisë së punëve të brendëshme për kufirin që nga Korça e deri në Kepin e Stillos.

Më pranë tyre janë ngritur pallatet e postdiktaturës që qytetarët i quajnë lagja dhe pallatet e të përndjekurve politikë, të cilët u sistemuan atje pas rënies së regjimit barbar.

Pyes se çfarë bëhet tashti në këto ndërtesa me pamje të trishtë, madje ndjellakeqe, shumica pa çati, kujt i përkasin dhe a kanë ndonjë histori. I afërmi im, njëkohësisht edhe i zoti i shtëpisë, P. M, disa vjet më i madh se unë, edhe ai i përhumbur në kujtime, mbushet me frymë, lëviz pak në karrige dhe më tregon se ato rrënoja kanë qënë dikur, përpara se sa të vendosej reparti ushtarak, streha e shumë fatkeqëve të ardhur nga vise të ndryshme të vendit, me shumicë nga krahinat veriore që ne i quanim të internuarit. Diçka të mjegullt kisha dëgjuar edhe në familje për ta, sepse unë atëherë ende nuk kisha lindur, më tepër nga gjyshja, me të cilën kaloja orët më të shumta të ditës.

I afërmi im mu lut që të bëja diçka për të përcjellë ato kujtime të rënda të jetuara prej tij në moshën e fëmijërisë, të lëna vragë të thella në shpirtin e brishtë të një fëmije e sot, në perëndim të jetës, është detyrim qytetar e njerëzor t’i bësh të njohura për opinionin, për brezat që nuk i kanë jetuar, për fallsifikatorët e historisë që po e tjetërsojnë atë edhe me gjalljen e viktimave dhe të dëshmitarëve, të dosjeve të gjalla të asaj kohe. Ia mora përsipër si një amanet dhe detyrim qytetar, si një gur sado të vogël për ta gdhëndur në kujtesën e historisë së dhimbjeve për bashkëmoshatarët e tij, me të cilët ndante triskën e bukes.

Dua të tregoj disa realitete, ato që mbaj mënd më mirë nga fëmijëria dhe

adoleshenca e hershme dhe për të cilat mbaj përgjegjësi para ndërgjegjes dhe viteve që mbaj mbi shpinë. Në vitet 1951,52,53, isha rreth 12 – 13 vjeç dhe vija nga fshati Bënçë për të mësuar në shkollën 7 vjeçare “Avni Rustemi” të qytetit të Tepelenës ku në vitet 20 kishte dhënë mësim mësuesi atdhetar Avni Rustemi nga Libohova e Gjirokastrës. Rruga vajtje ardhje ishte rreth 10 km dhe më duhej më se dy orë udhëtim në motet e rënduara të atyre viteve. Mësues matematike kishim A. Kokën, mësues Dh. Hilën, atëhere shumë i ri dhe sot i moshuar, pothuaj të gjithë i mbaj mend, por nuk është ky objekti.

Me trishtim të thellë kujtoj veçanrisht jetën e ashpër e të vështirë të bashkënxënësve të shkollës e të klasës që vinin nga kampi më i vështirë e famëkeq i kohës, të atyre vajzave e djemve të brishtë, mbushur me mirësi e inteligjencë dhe kulturë në sjellje e paraqitje. Edhe pse pak më i madh në moshë, Lek Mëlyshi, Veronika dhe Ernest Dosti, motër e vëlla, Hysni e Fatime Biçaku – motër e vëlla si dhe shumë të tjerë. Ata vinin nga familjet më fisnike të kohës me kontribute atdhetarie, mjaft inteligjentë e të edukuar, madje më shumë se ne, edhe pse jetonin në kushte ekstremisht të vështira. Visheshin dhe paraqiteshin, sajoheshin hijshëm. Vinin të uritur në shkollë. Për ta gatuante shteti me kazan. Unë kam ndjesinë time për vuajtjet e tyre dhe sa kam mundur, kam ndihmuar. Ndaja bukën që më mundësonin triskat me ta, sepse unë haja edhe në shtëpi, ku gatuhej për gjithë familjen, shpesh merrja edhe me vete, pasi ne diçka prodhonim edhe vetë.

Nuk di nga tia filloj. Një ditë, në pushimin e gjatë, na komunikuan para shkollës se kishte vdekur udhëheqësi sovjetik – Josif Visarianoviç – Stalini. U shpall ditë zie kombëtare sepse ashtu ishte ideologjia e kohës dhe urdhri i partisë-shtet, festat e huaja dhe hidhërimet sllave qenë festa e hidhërime edhe për ne shqiptarët. Duke hyrë për në klasë, dy vajza, Veronika Dosti dhe Fatime Biçaku, bisedonin midis tyre: mirë bëri që vdiq, ne të na rrojnë njerëzit tanë kudo që janë se nuk dimë ku ndodhen. Pjekuri dhe inteligjencë buronte prej tyre.

Në pushimin e orës tjetër, përsëri u mblodh shkolla dhe i përjashtuan përfundimisht. Iu bashkuan edhe këta dy ëngjëj radhëve të viktimave, kurse radhëve të gjata të puntoreve që ngarkonin pleh në shpinë që nga Turani në Tepelenë iu shtuan edhe dy puntorë – fëmijë.

– Për këtë shprehje?

– Po, për këtë shprehje.

– Kush i spiunoi?

– Një shoqe klase, me raporte të mira me pushtetin. E ëma ishte përgjegjëse e gruas e rrethit, i vëllai u bë operativ i qytetit, edhe ajo studioi dhe gëzoi privilegjet e kohës. Jua lanë shkollën përgjysëm. Ishin nxënëse dhe fëmijë të shkëlqyer. Fatimja me të vëllanë, Hysniun e kishte bankën pas meje, Lek Mlyshi rrinte në cep, në skajin tjetër së bashku me një shok që nuk po më kujtohet emri; koha e gjatë vepron mbi kujtesën. Unë rrija me një shok tjetër. Veronika me një shoqe që sot nuk jeton, qenë në rrjeshtin e mesit. Tomorr Dosti ishte mësues talent i fizikës. Atëhere Tepelena nuk kishte mjaftueshëm personel arsimor. Kishte edhe të tjerë, Kurt Kola ishte në klasë tjetër, por edhe të rritur, familjarë të personaliteteve historike si Muharrem Bajraktarit, Gjon Marka Gjonit, Gjon Vasia etj…

– Veç jetës shkollore, a të ka lënë gjurmë ndonjë rast tjetër i trishtë?

– Kujtoj ende sot me rrënqethje atë radhë të gjatë vajzash e grash me supe të brishtë nga mosha dhe mosushqyerja të radhitura që nga Turani, ku kishte bagëti me shumicë dhe pleh, e deri në fushën e Tepelenës tek kazermat e strehimit të fatkeqëve, rifuxho, secili në atë 2 metërshin e tij katror, si sardelet, të ngarkuara me nga një thes me pleh e fakale për ta plehëruar fushën. Ato pastronin dhe mbushnin gropat.

Më vonë atje u bë ferma e qytetit ku do të punonte në vitet gjashtëdhjetë prurja tjetër e të internuarve. I rrjeshtonte të ngarkuara kapteri i speciales – i thoshnin, në distancë çdo 1.5 -2 metra që të mos bisedonin ose ndihmonin njera tjetrën.

– A ju kujtohet emri?

– Bajram Avduli nga Fratari ose kapteri i speciales edhe sot i tmerron ata që janë gjallë, i pa shpirt, i lindur për të bërë keq.

Gjithashtu kujtoj me keqardhje të madhe vendin që quhet kantieri i ndërtimit në afërsi të qytetit. Në kthimin nga Tepelena, nga shkolla për në shtëpi, në Bënçë, tek ura e Shën Thanasit ku është ujësjellësi i Ali Pashës, shikoja varret që hapeshin për të vdekurit e internuar, nuk ishte varrezë, as një shënjë e rrethuar, i hidhnin në ndonjë gropë të hapur në lëndinë, shpesh edhe të përbashkët. Edhe sot i di varret e atyre fëmijëve, pleqve, të sëmurëve nga krahina të ndryshme të Shqipërisë.

– A ke dëgjuar apo asistuar ndonjë moment torture lidhur me ta?

– Nuk do ta harroj sa të jem gjallë një djalë të fuqishëm 35 – 36 vjeç, emrin e të cilit nuk e mësova kurrë, në se është gjallë, e përshëndes dhe duhet të dëshmojë.

Në atë kohë një grup meshkujsh të fuqishëm prej kampit të Tepelenës i kishin instaluar në Bënçë, në disa banesa të braktisura, larg familjeve dhe kazermave. Ata punonin angari – pa pagesë, me sëpatë në dorë për prerjen e drurëve të pyllit që mbulonte nevojat e qytetit me lëndë djegëse dhe përpunim industrial. I prisnin, i zbrisnin deri në lumë dhe pastaj i ngjisnin në krahë në qytet. Kalonin pranë krojeve dhe burimeve në pikën e vapës dhe sa afroheshin për të lagur buzën me ujë.

Kapter Avduli i speciales i qëllonte me tytën e pushkës ose qëllonte në ajër që të largoheshin; ashtu bënte edhe kur punonin në mes të frutave të pyllit kur iu afroheshin frutave të bollshme – Bënça është e mbushur me fiq, shegë e tj..

Shkonin në kazerma vetëm në fundjavë ku laheshin në lumë. Djali bëri një tentativë për arratisje nga puna dhe kushtet e rënda të jetesës, iku nga banesa në mbrëmje duke u hedhur nëpër greminat dhe rrëpirat përreth. Policët – Azemi, Feçori dhe xhelati, kapteri i speciales, Bajrami, e kapën dhe e lidhën pas një shtylle në fshat deri në mëngjes, ku e shoqëruan për në Tepelenë. Unë bëja përditë rrugën Bënçë – Tepelenë dhe anasjelltas për në shkollë dhe e kam si tani parasyve pamjen trishtuese me duart e tij të lidhura me tela me gjëmba. Nga shtrëngimi, teli i ishte futur aq thellë në duart e fryra, saqë nuk dukej fare. Ai na shihte dhe ne e shikonim dhimshëm që nuk e ndihmonim dot, e sollën në degën e punëve të brendëshme dhe më tej nuk e di fatin e tij.

Kaq të pamëshirshëm ishin. Ishin gjetur njerzit e duhur në vendin e duhur. Asnjë vendas nuk e pranonte atë punë të përbuzur. Jo kushdo mund ta bënte atë lloj pune. Avduli ishte po kaq i pamëshirshëm edhe me fëmijët e tij. Qe i lindur katil. Ashtu porositeshin, por njeriu fisnik disa urdhëra e porosi i anashkalon, bën sikur edhe nuk shikon, sikurse ka mjaft raste të tjera. Një njeri human nuk pranon të bëhet bullon shtrëngues i një regjimi aq barbar që ndjek e torturon njerëz e veçanrisht fëmijë e gra të pafajshëm. E kisha edhe komshi më vonë. Vdiq në varfëri të plotë.

– A përshëndeteshit me ta kur shkëmbeheshit, në kontakte të ndryshme?

– Ne komunikonim sepse i kishim në shkollë, në klasë. Unë e kisha në bankë atë me të cilin ndaja bukën e triskave që përfitoja. Ata nuk krijonin kurrë probleme, ishin të edukuar dhe fisnikë. Kampi u prish rreth vitit 55 kur erdhi artilieria, u bë reparti i ndjekjes, i shpërndanë nëpër burgje e kampe, në vende të ndryshme.

Gjithashtu më del përpara pamja e trishtë e një të moshuari prej tyre, intelektual fisnik. Çdo të diel që bëhej pazari dhe kishin të drejtë të vinin në qytet disa orë, ai me një shkop me gozhdë në majë, mblidhte bishta cigaresh dhe formonte një të tërë e e pinte atë. Ishin gjithmonë të uritur. Supa e kazermës qe e pamjaftueshme. Tregu kishte mungesa dhe mbizotëronte sistemi i triskëtimit.

– Po qytetarëve a ju vinte keq për ta?

– Sigurisht, përveç një pakice të fanatizuar politikisht, ata ishin koshientë për pozitën dhe situatën dhe qëndronin të distancuar. Të internuarit shmangeshin me inteligjencë për të mos vënë në pozitë të vështirë askënd.

– A janë çvarrosur të vdekurit?

– Nuk mendoj se janë gjetur sepse atje është ngritur kantjeri i ndërtimit, magazinat, thertorja mbi ta, një pjesë të varrosur anës së lumit janë rrëmbyer nga vërshimet.

Kur u ndërtua kabina elektrike e qytetit dolën shumë eshtra. Këto tmerre dhe makabritete duhet të evidentoheshin si nga të mbijetuarit, ashtu edhe nga institucionet demokratike të pasdiktaturës.

Edhe qytetarët qenë të terrorizuar. Gjynah – thoshin, ndjeheshin keq dhe mbylleshin në vetvete, ata që kishin timi. Të fanatizuarit i shihnin si armiq, mirë i gjeti, le të vuajnë, duan të na marrin pushtetin – shpreheshin. Atëhere kjo kategori ishin pakicë por më vonë u forcuan e shumuan.

Tepelena duhet të ishte bërë simboli i parë i qëndresës dhe ato objekte makabre duhet të qenë stigmatizuar si vrimë e zezë e mundit, djersës dhe gjakut njerëzor. Ata nuk e kanë gjetur vendin që meritojnë, nuk janë vlerësuar si duhet, nuk përfaqsohen askund. Dyert e institucioneve janë mbyllur për ta. Ponat nuk ju janë kthyer. Ato po i gëzojnë pasardhësit e nomenklaturës e të persekutorëve, gjithçka përsëprapthi.

Viktimat e vdekura janë harruar, fëmijët lanë fëmijërinë, të rinjtë rininë e pjekurinë internimeve e burgimeve të gjata, pa qënë fajtorë për asgjë.

Në fillimet e viteve 90 pati një lëvizje për mirë por më vonë erdhi duke u zbehur deri sa arriti në asgjësim të plotë gjithçka.

Duhej të ushqehej kujtesa e opinionit dhe shoqërisë, dhe veçanrisht e rinisë, kudo nëpër filma, teatro, këngë, tekste shkollore, me dhimbjen njerëzore të këtyre krijesave të pafajshme. Si në nivel personal, ashtu edhe institucional, viktimat e asaj mënxyre duhet të shkruanin për bëmat e diktaturës që të vejë e drejta në vendin e saj dhe të mos fshihet, mbulohet e të ndërrojë formë e keqja. Vendet e tjera të lindjes e bënë katarsisin dhe dekomunistizimin, ne, jo.

Kemi drejtues të institucioneve ligjbërëse e ligjzbatuese si dhe bij e pasardhës të klikës diktatoriale, akademikë e historianë të përlyer me të kaluarën që e kanë pështjellë për fyti demokracinë por që e mjelin ekonominë e vendit nëpërmjet kolltukëve të uzurpuar si një çiflig të merituar nga paraardhësit e tyre.

Edhe unë e ndjej për detyrë t’i hedh në letër këto kujtime të gdhëndura në kujtesën time fëminore si një vëzhgues i jashtëm, edhe pse nuk më preknin direkt

Isha nga një familje e pa cenuar nga pushteti i kohës por ma kanë plagosur e shëmtuar fëmijërinë. Askush nuk ndjehet i lumtur e i lirë kur vuan shoku, miku, fqinji i tij. Nuk e kam mundësinë shëndetsore për të hedhur këto kujtime, as material aq të mjaftë sa ata që i kanë jetuar e përjetuar në çdo moment. Në se do të mundesh, ta lë detyrë ta publikosh këtë dëshmi autentike.

Unë i deklaroj seicilit nga vuajtësit e asaj kohe se jam mjaft i keqardhur, si për ato që kaluan, ashtu edhe për interesimin e tyre për kërkimin dhe çvarrosjen e të afërmve të tyre, si individualisht, ashtu edhe institucionalisht.

Goxha djem e vajza, të edukuar, të formuar edhe nëpër universitete nga më prestigjiozet e botës, të paisur me parimet e mirëfillta demokratike. Duhet të organizohen dhe të shporrin simbolet e komunizmit, filmat e lulëkuqeve, analistët dhe moderatorët uzurpatorë të kanaleve me të kaluar të përlyer dhe ekspertiza vrastare për poetët e ekzekutuar, historianë fallsifikatorë të lidhur me majat më të larta të nomenklaturës, gjyqtarë të niveleve të larta dhe hetues e kryehetues gladiatorë të diktaturës, që në një vend normal nuk do ta shihnin kurrë lirinë për bëmat e tyre, me protesta paqësore dhe bojkot kanaleve televizive që intervistojnë funksionarët e nomenklaturës, me kulmim kryediktatoren – zhdanovisten HOXHA – XHUGLINI fashisten dhe nostalgjiken që ka ruajtur me fanatizëm edhe dokumentin dëshmi të antarësisë. I kishte të gjitha mundësitë ta eliminonte. Ndoshta ëndërronte ndonjë fashizëm tjetër ku mund t’i hynte në punë.

Ata dhe institucionet e mirëpaguara nga taksat e qytetarëve, sikurse mediat jo publike të financuara dhe nga kostot e rritura të produkteve prej reklamave marramendëse, nuk duhet të lejojnë as të përmendet emri i diktatorit dhe bandës së tij në asnjë lloj medie. Europa lindore mjaft e ndjeshme në këtë drejtim, e ka pastruar me kohë shoqërinë edhe nga hijet më të vogla të këtyre dukurive.

Televizioni gjerman “Ard” e pushoi nga puna gazetaren profesioniste me kontribut 20 vjeçar – Eva Herman në vitin 2009, pasi duke promovuar librin “Arka e Noes”, krahas demaskimit dhe kritikës së ashpër që i bënte regjimit nazist, përmendi kalimthi edhe ndonjë vlerë sociologjike të kohës për familjen si institucion shoqëror.

Edhe atje kishte mbi 60 vjet që nazizmi ishte rrëzuar e dënuar por opinioni i ndjeshëm e i kulturuar nuk pranon të përmendet nëpër media kurse tek ne, moderatorët i ledhatojnë me pyetje të parazgjedhura dhe rrinë para tyre si nxënësi para mësuesit, pra, ajo që kontrollonte dje vendin, e kontrollon edhe sot dhe do ta kontrollojë edhe nesër nëpërmjet zgjatimeve të saj.

Është për tu përshëndetur veprimi i gazetarit grek Stavro Xima që në librin e tij për Shqipërinë – “Në yllësinë e nacionalizmit”, botuar në Selanik, në faqen 270, në pjesën e titulluar “Nexhmije Hoxha, një komuniste e papenduar” denoncon një fakt të viteve 2002 dhe 2008.

Në përpjekjen për ta intervistuar, i shkon në banesën e saj karrem në Laprakë – banesën e vërtetë e ka në Bllok. Ajo i vë përpara disa fletë formati me një numur të madh pyetjesh të parapërgatitura dhe përgjigjet e përzgjedhura po prej saj:

– Intervista është gati, të mos lodhesh.

Ai, me kasetofonin dhe reporterin, i befasuar e pyet se ç’do të thotë që është gati; pyetjet i bën ai dhe përgjigjet i jep ajo. Ia refuzon pyetjet dhe intervista vazhdon normale për katër orë.

Ai shprehet se m’u duk sikur para vetes kisha një “fëmijë” origjinal ideologjiko – politik të Zhdanovit – shefit sovjetik të propagandës, ku për 4 orë rrjesht, jo vetëm pendesë nuk gjeta gjat intervistës, por më impresionoi përgjigja cinike e saj se ne vetëm 4500 vetë kemi vrarë.

Për 45 koka preshi të thara nga moti, në sundimin e saj do të kishte shpallur e ekzekutuar 4500 sabotatorë!

Pohimit të tij se ekzekutimin e kunatit të saj, Bahri Omari, burrin e motrës së diktatorit, në familjen e të cilit ata strehoheshin gjatë luftës, mëndja ime nuk mund ta perceptojë që e latë motrën vejushë, ajo i përgjigjet me paturpësi se Enveri nuk dinte asgjë, e bëri agjenti jugosllav Koçi Xoxe. Enveri i tha të motrës që t’ja kërkonte si nder Koçit lirimin e të shoqit pasi ai nuk ndërhynte tek drejtësia.

Është e dhimshme të mendosh se asnjë nga gazetarët tanë nuk e ka vënë në vështirësi me pyetje të tilla. Madje as nuk e intervistuan kur u arrestua i nipi “xibrakas” e as kur i doli në dritë tesera e partisë fashiste. Turpi i shekullit!.

Ajo dhe klika e të shoqit 50 vjet hodhën baltë mbi atdhetarët që shkrinë gjithçka për vendin, që nga firmëtarët e pavarsisë e deri tek akademikët e diplomuar me medalje të arta nëpër universitetet më të mira të Europës, asnjë prej të cilëve nuk kishte pranuar të marrë teserën e antarësisë fashiste.

Gjithashtu duhet të tronditej vendi nga protestat mbarëshqiptare për dekoratat e shpërndara fshehtas, me postë nga ministrja e mbrojtjes Kodheli me rastin e 70 vjetorit të çlirimit të Shqipërisë, ndërkohë që të zhdukurit e kampeve komuniste, thërrasin nga varrezat e humbura.

Nuk dua të kaloj në ekstremizëm, as në hakmarrje se nuk kam hak për të marrë, por për atë tragjedi 50 vjeçare duhet të ketë një përgjegjësi dhe një kosto.

Është trishtues fakti që presidenti i fundit i diktaturës të quhet presidenti i parë pluralist sepse të gjithë e dijmë se si u imponua të lejonte pluralizmin politik, pas manovrave të “pluralizmit të mendimit”. Shqiptarë, mos i lejoni këto mashtrime, veçanrisht ju të përndjekur politikë.

Si i shpëtoi atentatit me minë biznesmeni, Hoxha jep detaje të paditura më parë

Drejtuesi i Prokurorisë së Elbasanit, Ardjan Nezha nuk ka dhënë dorëheqjen, sipas gazetarit Artan Hoxha, por ai është larguar nga kjo detyrë.

Hoxha ka treguar se ish-drejtuesi i Prokurorisë së Elbasanit, kishte në dorë disa dosje të bujshme, të cilat preknin shumë interesa.

Duke folur në studion “Kjo Javë” në News 24, Hoxha ka rrëfyer detaje për nga dosjet që po hetonte Nezha.

Bëhet fjalë për vendosjen e një sasie shumë të madhe tritoli në makinën e një biznesmeni që hynte e dilte në tregun ushqimor të Elbasanit.

Jemi marrë shumë me ngjarjen e 13 janarit të këtij viti ku u plagos Lulzim Kulla dhe dy të tjerë. Në Elbasan është zbuluar një minë tjetër me 1,5 kg tritol. Mina ka ardhur nga Mali i Zi, autori dyshohet të jetë person i afërt i Julian Sinanajt. Ka qenë në burg, por Apeli i ndryshoi masën e sigurisë, u arratis dhe nuk u kap më”,- u shpreh Hoxha.

Gazetari investigativ thotë se sasia ka qenë shumë e madhe, gati 1.5 kg që i ishte vënë në makinë një biznesmeni, dhe nëse ajo minë do të shpërthente mund të kishte ndodhur një tragjedi e vërtetë.

Ngjarja ndodhi në 24 prill 2017. Një automjeti tip Volswagen pronë e një biznesmeni të vogël që hynte në orar fiks në tregun e qytetit në administrim nga Petrit Çela, babai i Suel Çelës i përmendur për ngjarjen që kishte të bënte me policinë, aktualisht në kërkim edhe pse rezultoi që nuk ishte aty. Pjesëtarë të grupit rival të Çelajve tentuan të çojnë një mesazh të fortë tek ta, për shkak të masakrës së 3 shkurtit 2016, ku u vranë tre pjesëtarë të Çapjave dhe u plagosën 8 të tjerë. Mina ishte vendosur me magnet në pjesën e poshtme të mjetit. Dihej që në momentin që ky do hynte në treg mina do të shpërthente dhe gjithë përgjegjësia do t’i lihej personit që do t’i ndodhte shpërthimi dhe autorët e vërtetë do humbnin gjurmët”,- tha Hoxha.

Hoxha ka treguar edhe si u zbulua kjo sasi e madhe, dhe duket se ka qenë çështje fati.

Një person ka vënë re pakon e pazakontë poshtë makinës së biznesmenit, çka ka bërë që ai menjëherë të njoftonte policinë.

Atentati dështoi rastësisht, pasi një person e ka parë masën e pazakontë poshtë makinës së parkuar. U njoftua policia dhe në tokë ra një minë me 1.5 kg tritol. Do ishte si një ngjarje terroriste nëse do shpërthente brenda tregut. Hetimet u bënë nëse pronari kishte apo jo konflikt, por pastaj u arrit në konkluzionin që qëllimi ishte të shpërthente mina brenda tregut si hakmarrje për personin që ka tregun”,- u shpreh Hoxha.

Këto ditë fillon arrestimi i të inkriminuarve që kanë lidhje me politikën e lartë – Nga SPARTAK NGJELA

Sa më shumë mbyllet laku anti korrupsion aq më shumë po sulen të gjithë të korruptuarit bashkë të ngrenë shqiptarët, për të destabilizuar Shqipërinë, por edhe të shpresojnë në Stamboll e në Moskë.

Pasi e kanë vjedhur Shqipërinë; që të tre: Berisha, Meta dhe Rama duan ta shkatërrojnë Shqipërinë që të shpëtojnë kokën dhe vjedhjen.
Por asnjë shpresë nuk kanë. Lodhen kot.

Kurse politika amerikane duhet t’ua thotë hapur shqiptarëve gjëmën që hordhitë e Saliut duan t’i bëjnë Shqipërisë.

Nuk po lënë gur pa luajtur. Por kanë një dështim: nuk po iu përgjigjën shqiptarët.

E patë vobegtësinë e mbështetjes shoqërore në datën 5 prill? A e dini se çfarë tregoi kjo dobësi: që vjedhësit nuk e kanë popullin me vetë.

Po, kaq pa mend janë, sa mendojnë që të mundin Amerikën në Shqipëri ku 97 përqind e shqiptarëve janë me Amerikën. (!)

Ditët e para të arrestit të tyre; të gjithë këta edhe Berishën, edhe Metën edhe Ramën edhe Bashën duhet t’i nisim në Kaçanik.

Zoti Ramush! të na i kesh kujdes aty se do t’i dërgojmë me çallma që t’i “përpunojnë” nipërit e Idriz Seferit.

l.
Turp historik; hajdutët janë lëshuar e po i luten të vjedhurve që të ngrihen në luftë për ta, dhe po krijojnë lloj lloj lajmesh të rreme kundër ambasadorit amerikan Donald Lu. Janë naivë se mendojnë që të gënjejnë shqiptarët për t’i nxjerrë në “revolucionin e tyre të republikës së re”.
Janë të gjithë në një hall të madh, prandaj nuk e kuptojnë dot se po bëhen qesharakë.

Kanë frikë që të godasin direkt Uashingtoni se i ruhen shqiptarëve. Janë hajdutë të vegjël në forcën shpirtërore, ngaqë nuk e kanë popullin me vetë. Të gjithë shqiptarët sot e dinë se këta i kanë vjedhur; por shqiptarët tani, po presin me ankth që hakmarrjen e tyre ta ushtrojnë kundër vjedhësve me anë të Amerikës. Dhe sigurisht që do ta arrijnë; sepse Reforma e nisur nga politika amerikane do të shkojë deri në fund.

Këto ditë besoj duhet të fillojë arrestimi i individëve të inkriminuar që kanë lidhje me politikën e lartë. Sigurisht, Llalla e kompani, sepse Llalla në fakt i di të gjitha lidhjet e krimit të organizuar me politikën e lartë, sepse ky ka dhënë ndihmën e vet për të lulëzuar në Shqipëri simbioza e shëmtuar e krimit me politikën e lartë.
Kurse, Bashë mavria, çirret për të bërë revolucion, pa ditur gjë fare që ai vetë ka shkelur ligjin amerikan. Rri, o Lulzim! pse po kërkon që të gjykohesh nga një gjykatë amerikane? Është i rëndë në hekura SING SINGU Lulzim, janë shumë më të lehtë këtu.

ll.
Po a ka mundësi që ta destabilizojnë Shqipërinë këta?
Është pamundësi absolute; sepse policia shqiptare drejtohet nga ekspertë të FBI-së tani. E patë sesi u tërhoq në Kukës policia? E patë të premten sesi nuk doli fare policia nëpër qendrat e “revolucionit Basha”?

Kjo ndodhi, sepse policia i ka të gjitha planet Berisha – Basha, dhe po qesh me ta. Nga një polic në qëndër “revolucionare” i la të premten. Dhe akti më i madh ishte djegia e gomave dhe mërzjta e njerëzve që mbetën rrugës të izoluar.

Po pse, o derëzës e punëzes, me gomat e djegura të Monika Kryemadhit do të mundni Amerikën ju?
Po pse, o njerëz, me një grusht ekspertësh që ju ka dërguar Rusia do të ktheni ju shqiptarët kundër Amerikës?!

Sot e gjithë ditën këta të korruptuar, po lodhen, jo si pasojë e skemave logjikë që duan të realizohen, por si pasojë e çoroditjes së tyre mendore.
Dhe shikoheni sesi i drejton shthurrja mendore: Rama ka shpresë te forca popullore e Saliut; kurse vetë Saliu ka shpresë te aktiviteti paraluzurs i Ramës. Sepse, Sali ziut, nuk i mbushet ende mendja që policia drejtohet nga amerikanët dhe ministri Xhafaj i cili nuk ka lidhje fare me Ramën në këtë detyrë.

E pra, si ka mundësi që Saliu, me ca hordhi të lodhura dhe me ca ekspertë rusë të mundë politikën amerikane dhe vetë FBI-në që është prezente në Shqipëri?

Asgjë nuk bëjnë dot: por në gjyq do të shkojnë vetë, me këmbët e tyre. Dhe paratë do t’i dorëzojnë vetë.
A e mbani mend sesi dy herë rresht shkuan një e nga një dhe votuan kundër vetes në Parlament të 140 -të bashkë?
Ja, mu kështu do të shkojnë përpara gjykatës, një e nga një, të gjithë të korruptuarit; se tani të gjitha provat janë mbledhur.

Të shohim ditët në vazhdim episodin me krimin që ka qenë dhe është i lidhur me politikën në Shqipëri.

Edhe PDIU braktis Ramën: Hiq taksën e Rrugës së Kombit, liro 11 të burgosurit!

Një tjetër parti politike, deri dje aleate e qeverisë së majtë, ka dalë hapur kundër kryeministrit Rama dhe taksës në Rrugën e Kombit.

PDIU përmes një deklarate i ka kërkuar këtë të premte qeverisë që të heqë taksën për Rrugën e Kombit dhe të kërkojë lirimin e menjëhershëm të 11 kuksianëve të burgosur me vendim gjykate pas trazirave që ndodhën në protesdtën e së shtunës së kaluar.

Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet po ndjek me vëmendje dhe shqetësim situatën e krijuar në vend pas vendimit të pa konsultuar e arrogant për vendosjen e një tarife të papërballueshme për “Rrugën e Kombit”.

PDIU vëren me shqetësim përshkallëzimin dhe rëndimin e situatës dhe i bën thirrje maxhorancës:

  1. Të heqë tarifën prej 5 euro për autoveturat dhe 22 euro për kamionët në “Rrugën e Kombit”.

“Rruga e Kombit” nuk është biznes, por arteria kryesore që lidh dy pjesët e një kombi që padrejtësitë historike i ndanë, por që ne s’mund ti ndajmë akoma me politika të tilla, kur qytetarët e Shqipërisë paguajnë disa herë për rruget nëpërmjet pagesës së Taksës së Qarkullimit, Taks-Regjistrimi dhe Akcizë mbi karburantet. Kjo tarifë do të godiste atë që kemi më shumë nevojë rritjen e shkëmbimeve tregtare me Kosovën, ku shkëmbimet e Shqipërisë me Kosovën janë rreth 140 milion euro në vit kurse të Kosovës me Serbinë janë mbi 460 milion euro në vit. Kjo tarifë do të godiste rëndë turizmin e shqiptarëve të Kosovës i cili sjell vitalizim dhe rritje të ekonomisë Shqiptare. Ky është një hap tjetër në vazhdën e pengesave që krijojmë me Kosovën, si barriera e tarifave doganore apo kriza qesharake për patatet, çimento apo specat dhe i gjithë ky absurd ndodh kur folklorizmi patriotik i pushtetarëve bërtet për Bashkim Kombëtar.

  1. Për rrugët kombëtare duhet të vendoset një tarifë e arsyeshme në përputhje me nivelin e të ardhurave të Shqiptarëve. Për PDIU-në, “Rruga e Kombit” dhe “Rruga e Arbërit” DUHET TË JENË PA PAGESË. Këto janë dy arterie që lidhin Shqiptarët e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë.

Por po kaq të rëndësishme janë këto dy arterie për Qarkun e Kukësit dhe Dibrës, si dy nga qarqet më të varfra të vendit dhe të pa integruara në ekonominë e vendit.

  1. PDIU shpreh mbështetjen dhe respektin për banorët e Kukësit që i dhanë leksion klasës politike Shqiptare dhe opinionit publik, sepse qytetarët kanë të drejtë të reagojne kur arroganca e kësaj maxhorance as nuk i pyet e as nuk i informon. PDIU kërkon lirimin e 11 protestuesve nëpërmjet heqjes se intimidimit që maxhoranca po i ben Prokurorisë e Gjykatës, me rrethime Policore dhe urdhra politike.

Këta njerëz janë minimalisht siç e pranon dhe Kryeministri, viktima të mosinformimit nga qeveria të një vendimi aspak profesional e transparent.

PDIU i bën thirrje klasës politike shqiptare për një pakt kombëtar e dakortësi të munguar në këtë tranzicion të gjatë për:

– Integrimin europian me një axhendë të dakortësuar nga të gjithë.

-Implementimin e reformës në drejtësi ku politika duhet ti mbajë duart larg.

-Për një ligj të ri për referendumet, që do ti mundësonte qytetarëve të ushtronin demokracinë direket e të vendosnin për taksat, ambientin, planet urbane etj.

Kjo do të ishte e vetmja zgjidhje në kushtet kur demokracia me përfaqësim nuk është funksionale dhe është uzurpuar nga kryetarët e partive.

-Për reformën elektorale që mbahet peng nga dy partitë e mëdha.

Xhafaj kthen kohën e Luftës së Ftohtë: Grupe brenda dhe jashtë vendit tentojnë të destabilizojnë Shqipërinë

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ka deklaruar në emisionin ‘Repolitix’ në Report Tv se grupe brenda dhe jashtë vendit po tentojnë të destabilizojnë vendin.

Protesta e Kalimashit, ju thatë se kishte elementë me të shkuar kriminale. Personat e arrestuar i referohen kësaj deklarate…

Të bëjmë një dallim mes atyre që protestuan për një të drejtë të ligjshme, për një shqetësim, banorëve të qytetit të Kukësit, që kishin pasur dhe një dakordësim me policinë, me ata që e shfrytëzuan protestën për të ushtruar dhunë ndaj forcave të policisë dhe për të dëmtuar pronën publike dhe pronën e një biznesi të ligjshëm në veprimtarinë e tij.

 

Ky dallim është shumë i rëndësishëm. Në deklaratën time kam folur për të drejtën e ligjshme që kanë qytetarët për të protestuar dhe detyrimin e policisë për t’ua garantuar këtë të drejtë. Policia ishte aty për këtë gjë, ajo çfarë ishte në shkelje të ligjit, të së drejtës edhe të atyre qytetarëve, ishte fakti se një grup njerëzish në mënyrë të papërgjegjshme, shkuan përtej kufijve që lejon ligji. Ne besoj policia bëri detyrën në këtë rast, në kufijtë e mundshëm të situatës konkrete.

Policia me shumë qetësi e profesionalizëm shmangu përplasjen që dëshirohej mes individëve të caktuar mes policisë dhe qytetarëve. Ky tubim u iniciua nga këshilli bashkiak i Kukësit dhe kur në krye të një tubimi janë këshilltarët e atij komuniteti, dhe forcat e policisë ishin të përgatitur dhe nuk kishin forca shtesë. Kishte dakordësi për kufijtë ku do zhvillohej protesta dhe për mënyrën paqësore. Ajo që ndodhi nuk besoj që nuk është pjesë e kërkesës apo dëshirës e atyre njerëzve që kishin dalë aty, por prapavijë e një grupi tjetër, që dëshironin ta shfrytëzonin kërkesën e ligjshme në një konfrontim mes policisë dhe banorëve. Polica shmangu një përplasje të kësaj natyre.

Prapavija është politike, opozita ka dashur tensionin dhe krimin politik në këtë moment. Opozita ka gjetur rrugine  gabuar për të adresuar problemet, për të vendosur komunikimin dhe për të përfaqësuar njerëzit që mendon se i përfaqëson dhe që dëshiron të rrisë tensionin politik.

Nga informacioni që keni a ka pasur tentativë për të destabilizuar vendin?
Duhet të bëjmë dallim mes protestës s ligjshme dhe dëshirës për të protestuar dhe interesit që mund të kenë grupe të caktuara brenda dhe jashtë vendit për të destabilizuar vendin. Për të destabilizuar vendin padyshim që ka interesa, që do dëshironin të krijonin destabilitet, brenda dhe jashtë vendit.

Ka pasur një rrezik të shtuar në javët që lamë pas, forcat e policisë, agjencitë ligjzbatuese në vend, shërbimi sekret, agjencitë partnere kanë përballuar më së miri disa ngjarje që nëse do ndodhin do kishin pasoja.

Shqiptarja.com

Rama pret në fshehtësi biznesmenët kuksianë: Jo heqje të tarifës, por reduktim

Në heshtje të plotë mediatike dhe larg kamerave, Kryeministri Rama ka zhvilluar mbrëmjen e së enjtes një darkë pune me 20 biznesmenë kuksianë në selinë e Qeverisë.

Bëhet fjalë për sipërmarrës që ushtrojnë aktivitetin e tyre në Qarkun e Kukësit, të cilët janë thirrur nga Rama për të dëgjuar kërkesat e tyre.

Detajet e këtij takimi u zbardhen këtë të premte. Në të merrnin pjesë edhe ministrat Arben Ahmetaj dhe Damian Gjiknuri, si dhe drejtori rajonal i Shërbimit Kombëtar të Punësimit në Kukës, Ledian Halilaj.

Biznesmenët i kanë kërkuar kryeministrit që të kenë një përfaqësi të tyre në grupin negociator me koncencionarin përsa i përket pagesës në Rrugën e Kombit.

Rama citohet të jetë shprehur se procesi do të jetë transparent me pjesëmarrjen e të gjithëve. “Do të ketë reduktim çmimi për banorët e zonës, por jo heqje takse”, mësohet të ketë thënë Rama.

Kryeministri i ka njohur biznesmenët edhe me planin për të hapur brenda vitit aeroportin e Kukësit, duke ju thënë se është parashikuar që përmes tij të kalojnë 400 mijë udhëtarë në vit./ TCH

Monitor: Zhvlerësimi i euros dhe dollarit i shkakton Bankës së Shqipërisë 115 milionë euro humbje

Banka e Shqipërisë ka raportuar në bilancin e saj vjetor të 2017-s, një humbje totale prej rreth 15 miliardë lekësh, apo gati 115 milionë euro, nga rreth 4 milionë euro që ishte humbja vitin e mëparshëm.

Kjo humbje tepër e lartë ka ardhur tërësisht nga ndryshimet e kursit të këmbimit, teksa si rrjedhojë e nënçmimit të ndjeshëm të euros dhe dollarit ndaj monedhës vendase, Banka e Shqipërisë ka parë një zhvlerësim të rezervave të saj që mban në këto dy monedha.

Sipas shënimeve në bilanc, “Rezerva e rivlerësimit rezulton nga fitimi/(humbja) neto nga ndryshimi në vlerën e drejtë të arit monetar  dhe fitimet/(humbjet) neto nga këmbimet valutore, të cilat njihen fillimisht në fitim ose humbje dhe pastaj transferohen në rezervën e rivlerësimit. Rënia e rezervës së rivlerësimit me 15,247 milionë lekë është rezultat i zhvlerësimit të monedhave të huaja, dhe kryesisht të USD dhe Euro përkundrejt Lekut”.

Gjatë vitit 2017, euro u këmbye mesatarisht me 134.1 lekë, nga 137.4 lekë vitin e mëparshëm, me një nënçmim prej 2.4%. Edhe dollari ra nga 124 lekë në 119 lekë, duke u zhvlerësuar me 4.1%.

Banka e Shqipërisë kishte në fund të vitit 2017 gati 3 miliardë euro si rezerva valutore, të cilat janë të mjaftueshme për të financuar më shumë se 7 muaj importe. Në krahasim me një vit më parë, rritja e rezervës valutore ka qenë 1.69%, nga 2.25% një vit më parë.

Banka e mban rezervën e saj në valutë (kryesisht euro dhe dollarë), ar dhe një pjesë në SDR (monedha e Fondit Monetar Ndërkombëtar).

Si ar monetar, Banka e Shqipërisë kishte rezervë në fund të vitit 2017 rreth 7.3 miliardë lekë, ose 55 milionë euro, ose rreth 2% e rezervave, teksa pjesa më e madhe e rezervave mbahet në euro dhe dollarë.

Në total, për vitin 2017, Banka e Shqipërisë raportoi të ardhura nga interesat prej 2.7 miliardë lekë, nga 2.5 miliardë lekë vitin e mëparshëm. Edhe të ardhurat neto ishin me rritje, por gjithsesi rënia e fortë e valutave, që zhvlerësuan rezervat valutore, bëri që banka të rezultojë  me një humbje tepër të lartë, raporton Monitor.

 

Vrau më ’97, arrestohet në SHBA gjirokastriti i rrezikshëm

Një shqiptar i dënuar me 25 vjet burg për vrasje në vitin e trazirave 1997, u arrestua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në pranga ka rënë Niko Goxhi, 47 vjeç nga Gjirokastra. Ai u arrestua në SHBA, dhe është ekstraduar në Tiranë.

Sipas të dhënave të policisë, Narbis (Niko) Koxhaj (Goxhi), ishte shpallur në kërkim në vitin 1997 dhe u kap në SHBA, falë bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Uashingtonin.

Kapja dhe ndalimi u bë pasi Gjykata e Beratit me vendim penal të marsit 2003, e ka dënuar me 25 vjet burg për veprat penale “Vrasje me dashje kundër dy apo më shumë personave e kryer në bashkëpunim”, “Trafikimi i armëve dhe municionit”.

Specialistët e Seksionit për Krimet ndaj Jetës dhe Lirisë së Personit në Policinë e Beratit  ekzekutuan vendimin e Gjykatës ndaj 47-vjeçarit.

Emri i tij ishte në listën e personave më të kërkuar nga policia e Shtetit.

Trafiku i drogës – Voltana Ademi akuzon ministrat e Ramës, zvkryeministrja ia mbath drejt Tiranës

Sot ambasadori britanik Duncan Norman zhvilloi në Shkodër një takim me krye bashkiaken Voltana Ademi për krimin e organizuar dhe trafikun e drogës. I shoqëruar nga zv/kryeministrja Senida Mesi ai tha se në burget britanike janë mbi 700 shqiptarë që vuajnë dënime për vepra të ndryshme kriminale.

E ndërsa  kryetarja e bashkisë Shkodër, Voltana Ademi tha se qeveria është e lidhur me krimin dhe trafikimin e drogës deri në rang ministrash. Ajo akuzon se situata nga kultivimi i cannabisit në Shqipëri është alarmante.

Përgjigje për akuzat ajo mori nga zv/kryeministrja Mesi. Pas kësaj Mesi është larguar me urgjencë drejt Tiranës.

Kur numri dy i qeverise mori te largohej deputeti i PD Romeo Gurakuqi i pranishem ne takim i tha Znj.Mesi se ajo nuk duhet te largohet ne kete menyre sepse duhet qe te jape pergjigje dhe se ka disa çeshtje per ti adresuar per te dhe qeverine dhe per 11 protestuesit e arrestuar per protesten ne rrugen e Kombit, raporton gazetari i “Panorama”. Zevendeskryeministrja i beri te ditur se ka nje mbledhje urgjente ne Tirane dhe u largua nga takimi. E gjitha kjo ndodhi ne syte e ambasadorit anglez ndersa Znj.Mesi i mori leje per tu larguat.

Bie dhe SHISH në duart e Ramës – pas largimit të Ajazit, drejtorët që shkarkohen dhe cilët emërohen (emrat)

Në kulmin e lulëzimit të kanabisit, nga mesi i vitit 2016, në tryezën e Edi Ramës nisën të bëhen më të shpeshta informacionet për implikimin e policëve në biznesin e drogës.

 

Gjithsej 59 raporte me informacione për 127 policë të survejuar nga agjentët e SHISH, rrodhën në media pak muaj më parë.

Në këto dokumenta u përmendën për herë të parë Jaeld Çela, Sokol Bode dhe Gjergj Kohila, policët e dosjes Tahiri, që konsiderohen hallkat kyçe në zinxhirin që lidh kampionët e qeverisë me nënkampionët e kanabisit.

Prokuroria e Krimeve të Rënda i përdori atëherë disa sinjale të SHISH si pikënisje për dosjet hetimore.

Qeveria heshti.

Me Visho Ajazi Likën, kryeministri u nda me një shtrëngim duarsh, një dekoratë dhe me propozimin si ambasador në NATO. Me bashkëpuntorët e Visho Ajazit, bashkëhartues të raporteve të kanabisit, pati vetëm ndëshkime.

Pa kaluar 2 muaj nga largimi i Visho Ajazit, zëvëndësi i tij, Helidon Bendo largoi nga detyra të gjithë drejtuesit e mëparshëm. Spastrimi në SHISH gjatë kësaj kohe është rrënjësor dhe stafi i vjetër drejtues është lëvizur.

Lapsi.al ka siguruar një listë me emrat e drejtuesve të SHISH që u zbritën në detyrë me urdhër të drejtuesit aktual, Helidon Bendo. Vlen të thuhet se një pjesë e të shkarkuarve kanë marrë vlerësime nga partnerët e huaj, në veçanti nga SHBA, ndërsa të gjithë janë bashkëhartues të raporteve të zbulimit të policëve të implikuar në trafik droge.

Janë zbritur në detyrë Drejtori i Zbulimit, Drejtori i Kundërzbulimit, Drejtori i Bërthamës së Brendshme dhe të Jashtme të Shërbimit, Drejtori i Drejtorisë kundër Krimit të Organizuar, Drejtori i Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit, Drejtori i Arshivës Sekrete, Drejtori i Personelit, dhe Drejtorët e të gjithë qarqeve.

Lista me emrat e shkarkuar nga detyra

ish Drejtori i Zbulimit, Ferdinand Marku
ish Drejtori i Kundërzbulimit, Kujtim Prifti
ish Drejtori kundër Krimit të Organizuar, Robert Tuci
ish Drejtori i Arshivës Sekrete, Nestor Babameto
ish Drejtori i Sigurisë së Personelit, Astrit Qinani
ish drejtori i Tiranës, Nevzat Shehu dhe dy ish nëndrejtorët
ish Drejtori i Durrësit, Tonin Prendi
ish Drejtori i Dibrës, Bardhok Gega
ish Drejtori i Krimit Ekonomik dhe Antikorrupsionit, Hazbi Brahja

Lapsi.al mësoi se mes emrave që i kanë zëvëndësuar të larguarit nga detyra ka ish-inspektorë, për disa prej të cilëve ka pasur masa disiplinore, ndërsa pjesa më e madhe të emëruarve janë ish punonjës të sigurimit të shtetit.

Lista me drejtuesit e rinj të emëruar në detyrë

Mevlut Matraku, drejtor i Performancës
(krijohet drejtori e re)
Refail Milo, Drejtor i Administratës-  (krijohet drejtori e re)
Qerim Dede, Drejtor i Sigurisë në Aparatin Qëndror
Gëzim Bime, drejtor në KKE në Aparatin Qëndror
Agim Karalliu, Drejtor i SHISH në Tiranë
Ilir Tafa, Drejtor i SHISH, Durrës
Eltjon Nikolla, Drejtor i SHISH në Fier
V.E drejtor i SHISH në Elbasan
R.S, Drejtor i SHISH, Sarandë
Astrit Alija Drejtor i SHISH, Dibër
Ismail Salliu Drejtor i SHISH, Vlorë,
Xhevdet Zeqo, Drejtor i SHISH, Gjirokastër,
Julian Marku Drejtor i KKON në AQ

Vlen të thuhet se vetë Bendo ka një bashkëpunim të gjatë me ish drejtuesit e shkarkuar, pasi ka qenë zëvëndës i Visho Ajazi Likës. Për momentin, Helidon Bendo, mbetet drejtuesi i komanduar i Shërbimit Informativ Shtetëror dhe ende nuk është dekretuar nga Presidenti Ilir Meta.

Raportet që hartoi SHISH kanë qenë temë diskutimi në një mbledhje të Këshillit të Sigurisë. Bujar Nishani ka pranuar se veç Edi Ramës, me të dhënat ishte njohur ish Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.

Ishte koha kur akuzat ndaj Edi Ramës për lidhje me krimin dhe drogën u përshkallëzuan me çadrën e protestës para kryeministrisë. Ishte koha kur Rama dhe Tahiri i gruponin në “frontin e së keqes”, ata që denonconin kanabisin.

Raportet e Shërbimit Informativ Shtetëror sinjalizonin se situata kishte dalë jashtë kontrollit në policinë e shtetit.

Ato ishin dëshmi tronditëse se deri ku shkoi implikimi i policisë në biznesin e kanabisit.

Një skandal të këtyre përmasave, qeveria nuk mund t’ia lejonte vetes para zgjedhjeve. Të dhënat u mbajtën të fshehta deri kur Antimafia Italiane arrestoi Habilajt, solli përgjimet në Tiranë dhe skandali shpërtheu fort në opinionin publik.

Po bëhen 5 muaj që kur italianët sollën në Shqipëri materialet e dosjes Tahiri. Janë dashur pak muaj që gjithçka të ndryshojë në prokurori dhe në SHISH, jo thjesht në emrat e drejtuesit, por edhe në nivelet e tjera të të dy institucioneve./ Lapsi.al

Nazarko: E dini përfundimin e Edi Ramës, do e varin në shtyllë

I ftuar në panelin e emisionit “Studio e hapur” në News24, analisti Shpëtim Nazarko ka bërë një deklaratë të fortë lidhur me kryeministrin Rama duke thënë se ky i fundit i është futur një risku që në përfundim do e varin në shtyllën e telefonit.

Nazarko: Ky njeri po hyn në konflikt me grupe të caktuara shoqërore, pra po të kërkon me zor ato lekët e energjisë.

Çani: Stop! A i merr dot apo jo o Shpëtim! Ai po tregon se i merr.

Nazarko: Po ti do flasësh prapë, fole njëherë.

Çani: Do flas se s’kemi debat.

Nazarko: Po se s’di të bësh ti Arjan.

Çani: Ti po bën propagandë. Është punë e qeverisë të bëjë reforma, por sa i përballon populli këto reforma.

Nazarko: Ky i ka hyrë një risku që unë e di si do mbarojë, do ta varin në shtyllën e telefonit.

Deklaron Donald Lu: Ka prova ndaj ish-ministrit Saimir Tahiri

TIRANE- Ambasadori amerikan Donald Lu teksa foli me emra konkrete, si ish-ministri Saimir Tahiri, Roshi, Frrokaj apo edhe ish-kryeprokurori Llalla, tha se do të dalin para gjykatës.

Diplomati amerikan tha sot në ‘Opinion’ se fati i ish-ministrit nuk do të vendoset më nga parlamenti apo prokurorët, por nga gjykata, ndërsa paralajmëroi përballjen e Tahirit me drejtësinë. Lidhur me këtë çështje ai tha se ‘Kemi parë tashmë në media shumë prova’.

“Vitin e kaluar, nuk kishte hetime, me sa di, kundër këtyre trafikantëve të mëdhenj të drogës apo zyrtarëve të lartë. Çfarë kemi sot? Mendoj se është shumë interesante. Shikoni çështjen kundër Adriatik Llallës. Ka shumë në media tani lidhur me këtë çështje. Po hetohet për korrupsion. Qeveria e SHBA po ndihmon në atë hetim. Shikoni Saimir Tahirin – ish-ministri i Brendshëm shumë i fuqishëm. Po hetohet dhe besoj se jemi pranë ndjekjes penale në këtë çështje. Fran Frrokaj, Kryebashkiak i Lezhës, tashmë në arrest shtëpiak për korrupsion; dhe Elvis Roshi, ish-kryebashkiak i Kavajës, kërkohet për ndjekje penale nga ky prokuror për falsifikim dokumentash dhe se ka gënjyer në formularin e dekriminalizimit për një dënim për përdhunim në grup në Itali. Çështja kundër Saimir Tahirit meriton të vendoset nga një gjykatës, jo të vendoset nga politikanët, jo të vendoset nga prokurorët që nuk bëjnë punën, por duhet të vendoset nga një gjykatës që do të shohë me transparencë provat e çështjes. Kemi parë tashmë në media shumë prova.” tha Donald Lu.

Donald Lu: Nuk ofrojmë financim për Sorosin

Organizata “Judicial Watch”, në një njoftim të botuar të mërkurën, akuzon Departamentin e Shtetit se ka ndihmuar me fonde organizatat e filantropistit Xhorxh Soros për aktivitetet politike në mbështetje të forcave të majta në Shqipëri.

“Judicial Watch”, një organizatë konservatore, e cila vëzhgon abuzimet e mundshme të buxhetit federal në Shtetet e Bashkuara, i bazon akuzat mbi dokumentet e brendshme të Departamentit të Shtetit të siguruara përmes së drejtës së informimit.

“Judicial Watch” thotë se fonde prej rreth 9 milionë dollarësh të Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillimin Ndërkombëtar (USAID) i janë kaluar fondacionit Soros në Shqipëri gjatë vitit 2016, që sipas “Judicial Watch”, synonin t’i jepnin qeverisë socialiste kontroll më të madh mbi sistemin e drejtësisë përmes reformës në drejtësi.

“Judicial Watch” akuzon ambasadorin Donald Lu si të lidhur ngushtë me Sorosin dhe me qeverinë socialiste në Shqipëri.

I pyetur nga Zëri i Amerikës se si u përgjigjet këtyre kritikave, Ambasadori Lu thekson se “Ne nuk kemi ofruar financime për Fondacionin Shoqëria e Hapur dhe as kemi marrë financime prej saj”. “Kritikët e reformës në drejtësi, thekson Ambasadori Lu, i kanë etiketuar veprimet e ambasadës si të frymëzuara nga Sorosi”.

Reforma e gjyqësorit, thekson më tej Ambasadori Lu, është në interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara, pasi me një “sistem gjyqësor të pastër Shqipëria do të jetë një aleate më e fortë në NATO dhe më pranë anëtarësimit në BE”.

Reagimi i plotë i ambasadorit Lu për Zërin e Amerikës

“Kritikët e reformës në drejtësi i kanë etiketuar veprimet e Ambasadës së SHBA si të frymëzuara nga Soros, edhe pse ne nuk ofrojmë financim për Fondacionet Shoqëria e Hapur (OSF), as nuk marrim ndonjë financim nga OSF.

Siç e kemi thënë më parë, Shtetet e Bashkuara mbështesin reformën e gjyqësorit në Shqipëri sepse është në interesin tonë kombëtar për ta bërë këtë.

Kur Shqipëria të ketë një sistem gjyqësor të pastër, do të jetë një aleate më e fortë në NATO. Do të jetë më pranë anëtarësimit në BE. Dhe reforma e gjyqësorit është edhe në të mirën e interesave të nënshtetasve dhe bizneseve amerikane në Shqipëri. Amendamentet për reformën e gjyqësorit në kushtetutën e Shqipërisë u miratuan unanimisht nga të gjitha partitë politike të Shqipërisë”.

Klikoni këtu për njoftimin e “Judicial Watch”

Knut Fleckenstein është kundër bllokimit të trafikut

Eurodeputeti gjerman, Knut Fleckenstein, pasi ka pasur takime me kreun e PD-së Lulzim Basha dhe kryetaren e LSI-së Monika Kryemadhin ka dalë në një deklaratë për mediat, ku ka folur për ecurinë e Shqipërisë drejt hapjes së negociatave.

Duke komentuar zhvillimet më të fundit të nismës së opozitës për bllokim rrugësh, ai tha se në vendin e tij do të bllokonte rrugën, qytetarët do ta vrisnin.

Një demonstratë nuk ndikon në raport, e diskutuam këtë dhe dje. Demonstratat duhet të jenë, protestat janë pjesë e demokracisë, por kur përfshihet dhuna është një gjë që nuk bëhet. Nëse unë do të bllokoja trafikun në qytetin tim, qytetarët do të më vrisnin”, -tha ai.

Eurodeputeti Fleckenstein tha se ngjarjet më fundit nuk do të shënohen në raport, ndërsa sqaroi se nga BE pret një rekomandim të për hapjen e negociatave për Shqipërinë.

“Jemi në pritje të raportit të Komisionit. Është një 6-mujor tejet i rëndësishëm. Takimi i Sofjes duhet të dalë me elemente tepër konkrete. Do të presim në qershor takimin e Këshillit Evropian dhe shpresojmë të dalim me një rekomandim të qartë. Presim një rekomandim të qartë dhe të pakushtëzuar për hapjen e negociatave për Shqipërinë tani.

Jam takuar me palët politike dhe ministrin e Brendshëm në Tiranë. Shqipëria ka shumë punë për të bërë sa i takon reformave. Ne do të ofrojmë mbështetjen tonë. Shpresoj që shtatorin e ardhshëm të kemi arsye për të festuar, por edhe të përgatitemi për punën që na pret. “, tha ai.

Fleckenstein ka komentuar edhe ecurinë e Reformës së Drejtësisë në Shqipëri, duke bërë apel që kjo reformë të zbatohet pasi ka ndikim të madh në integrimin e Shqipërisë në BE.

“Është e rëndësishme zbatimi i Reformës në Drejtësi, është shumë e rëndësishme që gjatë negociatave të negociohen dhe të drejtat e pronësisë. Elementet shtesë janë thelbësore për negociatat. Sa më shumë të zbatohet Reforma në Drejtësi, aq më e afërt është koha për hapjen e negociatave“, -përfundoi ai.

/GazetaExpress/

Rama – kreut të Bashkisë së Kukësit: Nuk jam tërhequr

Rama ne interpelance me banoret e Kukesit

Pas seancës parlamentare ku deklaroi se do të shtyhet nisja e pagesës për përdorimin e rrugës së Kombit, kryeministri Rama nisi një interpelancë me disa banorë të Kukësit në zyrat e prefekturës.

Ai tha se duhet gjashtë muaj kohë për të përcaktuar se kush janë përdoruesit e shpeshtë të rrugës dhe për këtë ka nisur puna që prej fundit të shkurtit.

“Ne nuk e vlerësuam si duhet këtë fazë. Në fund të shkurtit kemi nisur punën për një pikë të kontratës që bën fjalë për përdoruesit e shpeshtë të rrugës. Kontrata parashikon 6 muaj për këtë pjesë. Ky nuk është justifikim për këtë rast. Ne duhet të ishim shumë të vëmendshëm dhe të bënim shumë shpjegime. Sipas ekspertëve duhen 6 muaj për të vlerësuar fluksin e përdoruesve të shpeshtë. Ne nuk do ta rivendosim funksionimin e sistemit të pagesës përpara pa konkluduar formulën për gjithë zonën. Sepse nuk duam që prapë të biem në kurthin ku ramë nga manipulimi i skajshëm që iu bë kësaj çështje”, tha Rama.

Nga zyra e kryeministrisë kreu i ekzekutivit iu përgjigj edhe kryetarit të Bashkisë së Kukësit, Bashkim Shehu, i cili i bëri thirrje të lironte të arrestuarit.

“Unë nuk e kam takuar kryetarin e Bashkisë së Kukësit për arsyen se ai nuk është distancuar nga dhuna. Dëgjova sot se ka thënë që unë jam tërhequr nga pagesa dhe për këtë më bëri thirrje të liroj 11 të arrestuarit. Thirrja për të liruar këta dhe për të liruar ata është një thirrje që shkon në adresë të gabuar dhe komplet në ajër. Kryetarit të Bashkisë së Kukësit i them sot jo vetëm që nuk jam tërhequr nga procesi, por ky është një proces që duhej bërë më parë”, tha më tej Rama.

Pse Rama kërkoi ndjesë disa herë, ja rruga e vetme që mund ta sprapsë – Nga ANDI BUSHATI

Falangat e Edi Ramës janë hedhur në një kryqëzatë të dirigjuar për të denoncuar dhunën që disa segmente ende të vogla të shoqërisë po ushtrojnë kundër policisë, rrugëve të përbashkta dhe pronave të oligarkëve, me të cilët po qeveris kryeministri.

Dua të jem i qartë që në fillim.

Sipas meje kjo është thjeshtë vetëmbrojtje. Dhuna është tjetër gjë. Dhunë është ajo që po ushtron pushteti. Dhunë është që pronat publike, trojet pa pronarë të ndërtimit, inceneratorët për drjegjen e plehrave, pallatet tek Teatri Kombëtar dhe kulla tek stadiumi i falen oligarkëve që ndajnë paratë me pushtetin. Dhunë është kur për koncesionin e Check Upit shtohen pa nevojë paratë megjithëse në spitale nuk ka fonde për të sjellë mjekimin e kimioterapisë. Dhunë është kur një anonim i panjohur mik i ministrit, fiton koncesionin e pajisjeve mjeksore, që sot kirurgëve i thyen në duar. Dhunë është kur votat rrëmbehen me premtimin zero ndërtime dhe pastaj shpik qindra mashtrime vetëm për të mbushur xhepat me paratë e kullaxhinjve.

Pikërisht ndaj kësaj dhune, që dirigjohet nga tepsia e mbetur në një dorë të vetme duhet reaguar.

Ditët e fundit ne jemi ndeshur me dy lloj reagimesh.

I pari ishte ai i aktorëve të Teatrit Kombëtar. Ata u përballën me urdhërin për t’I nxjerrë për leckash nga godina, sepse aty duhej të ngriheshin gjashtë kulla mbi pronë publike. Me pathosin, edukatën, naivitetin dhe lirizmin që i karakterizon, këta artistë nisën të protestojnë. Por, as ditirmabet epike të Bujar Asqeriut, as racionaliteti serioz i Robert Ndrenikës, nuk patën asnjë efekt. Pa pyetur për zërin e tyre, madje duke i ndërprerë edhe publikisht fjalën Ndrenikës, Rama i mblodhi në kryeministri aktorët për t’u përplasur në fytyrë mandatën: “Gërmadha juaj do të shembet”. Natyrisht si gjithnjë me një projekt të miratuar vetëm nga ai dhe me një firmë ndërtuese që do t’i dhurohet tokë publike pa garë dhe tender.

Ashtu si me aktorët, Edi Rama mendoi të sillej edhe me kuksianët. Ai organizoi një tender banditesk, ku u zhduk sa hap e mbyll sytë fituesi i vendit të parë (më pas nën rrogoz u përdor një argument ergoganesk, se fituesit ishin gylenistë). Më pas ai nxitoi të vinte traun që në xhepat e konsesionarit të futeshin me urgjencë eurot e trafikut që vjen bashkë me stinën e verën. Dhe aq arrogant e mospërfillës ishte ky tra, sa që privati të mos harxhonte para për ndërtimin e shumë pikave, u caktua një taksë e njëjtë si për, atë që bënte rrugën Tiranë – Prishtinë, si për atë që duhet të bënte vetëm pak KM për të shpënë fëmijën në spital.

Kështu ishte kjo histori arrogance pushteti që nuk përfilli askënd tjetër përpos interesave të Ramës dhe koncesionarit. Kundër kësaj u ngritën kuksianët. Ata reaguan radikalisht, thyen traun, krisën xhamat, shkrumbuan kompjuterat dhe e rrëzuan barrierrën oligarkike që kërkonte tu merrte frymën.

Me sa duket kishin të drejtë.

Po të gjykosh nga justifikimet e sotme të kryeministrit del se po. Ai kërkoi ndjesë disa herë. Ai tha se qeveria kishte gabuar që nuk kishte bërë punën e duhur sqaruese. Ai filloi të flasë për klauzola kontrate që lehtësojnë banorët dhe ideja se kuksianët do të diskriminohen pozitivisht për taksën e rrugës, po gjen gjithnjë e më shumë mbështetës edhe brenda mazhorancës (madje bashkë me të si bonus u dha dhe hapja e aeroportit që mbetet i kyçur prej vitesh).

Tani pyetja që shtrohet është: si mund të zmbrapset Edi Rama, me fjalimet poetike të Bujar Asqeriut, apo me shkopat dhe gurët e ‘vandalëve” kuksianë.

Vetëm me dy shembujt e fundit Rama na e ka dhënë përgjigjen e kësaj dileme. Ai dhe grupi i oligarkëve më të cilët ndan paratë, nuk pyesin për kritikat racionale dhe zërat e arsyeshëm. Ata tërhiqen vetëm para asaj që kanë filluar t’a etiketojnë si dhunë, megjithëse nuk është gjë tjetër veçse vetmbrojte e thjeshtë ndaj dhunës sistematike që po ushtrojnë prej pesë vitesh.

LAPSI

Rama tërhiqet për “tarifën”, reagon kreu i Bashkisë Kukës: Thirrja që kam për kryeministrin

Pas deklaratave të Ramës, i cili u tërhoq nga tarifa për Rrugën e kombit dhe tha se nuk vendosur asnjë barrë për qytetarët nëse nuk gjendet një zgjidhje optimale, ka reaguar dhe kreu i Bashkisë Kukës.

Sipas Bashkim Shehu, kjo tërheqje e Rmës vjen pas presionit të qytetarit.

 

Pjesë nga deklaratat e tij

Ik kërkoj lirimin e menjëhershëm të 11 personave që mbahen në burg. Unë jam krenar që ndodhem përpara kuksianëve. I përgëzoj qytetarët Kukësit që kanë qenë sot në protestë dhe tregojnë që jemi paqësor.

Çdo qeveri është e detyruar që të ulet me qytetarët, tu shpjegoj që gjitha.

Reflektim i Ramës apo presion nga qytetarët?

Ai e di shumë mirë se çfarë kërkojnë qytetarë, pasi ka qenë vetë kryetar bashkie.

Mungon opozita, por plas sherri brenda maxhorancës. Majko përplas karrigen e ik nga votimi

Duhet të ishte një seancë e qetë dhe pa kokëçarje për maxhorancën kjo e sotmja kur opozita kishte paralajmëruar bojkoton, por nuk ka rezultuar e tillë deri në fund.

Debati brenda shumicës ka nisur gjatë procesit të votimit të ligjit për diasporën.

Shkak është bërë një amendament i bërë nga Adnor Shameti për rregullimin e një neni dhe që u mbështet nga ministri i Diasporës, Pandeli Majko, por që ka hasur në kundërshtimet e grupit parlamentar.

Fillimisht Mimi Kodheli e më pas Taulant Balla kanë kundërshtuar amendamentin me argumentin se nuk kishte ardhur në kohë, duke kërkuar që të rrëzohet. Në votim 74 vota kanë qenë pro ligjit të ardhur nga qeveria dhe 1 votë kundër.

Rrëzimi i amendamentit ka nxehur ministrin Majko, i cili, siç raporton e gazetari i Panorama në Kuvend, Fation Binjaku, ka përplasur karrigen dhe është larguar nga Kuvendi.

VOTIMET

Raportimi në Kuvend i Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të dhënave Personale për veprimtarinë e vitit 2017  – 75 vota pro

Projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr.9867, datë 31.1.2008, “Për përcaktimin e rregullave dhe të procedurave për tregtimin ndërkombëtar të llojeve të rrezikuara të faunës dhe të florës së egër”, të ndryshuar- 75 vota pro

Projektligji “Për diasporën”- 74 pro, 1 kundër

Projektligji “Për statistikat zyrtare”- 75 pro

Projektligji “Për ratifikimin e protokollit shtesë 5 të marrëveshjes për amendimin dhe aderimin në marrëveshjen e tregtisë së lirë të Evropës Qendrore”- 75 pro

Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, Republikës së Francës dhe Komisionit Evropian, për programin Interreg VB Mesdhe (MED), 2014-2020”- 75 pro

Projektvendimi “Për një ndryshim në strukturën e Autoritetit të Konkurencës”- 75 pro

Projektvendim “Për zgjedhjen e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi”- Robert Gajda 72 pro, 2 kundwr 1 abstenim

Për votim: Projektvendim “Për miratimin e Kodit të Sjelljes së Deputetëve”- 75 pro

PD-LSI bënë kërkesë për shtyrje të seancës? Ruçi: Deri sot në mëngjes nuk më kërkuan gjë

UPDATE/ Ditën e sotme opozita ka nisur mosbindjen civile, duke nisur me bllokimin e rrugëve. Siç ishte parashikuar opozita  ka bllokuar disa nga akset kryesore dhe ka munguar në Kuvend.

Edhe pse më herët ishte bërë kërkesë për shtyrje të seancën, kjo kërkesë nuk është pranuar nga kryetari Gramoz Ruçi.

“Në media kam dëgjuar se grupet e opozitës kanë kruar shtyrje, dua të deklaroj se nuk është e vërtetë.  Deri në orën 10:15 nuk kam pasur asnjë kërkesë as kërkesë. Kur Besnik Dervishi kishte 10 minuta që po fliste, më erdhi në tavolinë letra e dërguar dje por e sjellë sot, pas asnjë nën që mbështetej, kërkohej vetëm që të shtyhej seanca. Por një rast nuk parashikohet as në Kushtetutë. Kërkesa për të shtyrë seancën është një orë para nisjes. Dje është zhvilluar konferenca e kryetarëve dhe nuk ka pasur pjesëmarrje dhe asnjë  kërkesë”, tha Ruci ne nisje te seances.

kuvendi pa opoziten

Kuvendi sot ka nisur punimet pa opozitën, duke vijuar me rendin e ditës. Po ashtu bëhet me dije se asnjë deputet i opozitës nuk ka emrin në listën për të mbajtur fjalë. Pas kërkesës për shtyrje dhe mos miratimit të gjithë deputetët e LSI dhe PD, kanë hequr emrin nga lista në një formë bojkoti.

Në këtë situatë seacna sot pritet të jetë pa debate dhe e shkurtët, pasi vetëm  deputetët e PS do të flasin sot.

Ruçi refuzon kërkesën e opozitës, nuk shtyhet seanca. Ja kur nis Kuvendi

Asnje pergjigje pozitive per kerkesen e opozites, per shtyrjen e punimeve te seances se sotme plenare per pasdite, nisur nga axhenda e ngjeshur e protestes, me bllokim se paku te kater akseve kryesore ne vend.

enjte

Duket se kryeparlamentari, Ruci nuk e ka marre parasysh nje kerkese te tille, pasi se paku si reflektohet ne faqen zyrtare te Kuvendit, seanca eshte parashikuar te mbahet si gjithmone ne oren 10:00 te paradites.

Kujtojme se opozita do te jete sot në krye të protestave, të aksionit të saj për mosbindje civile, e per kete i bëri një kërkesë mesditën e djeshme kryetarit të Parlamentit Gramoz Ruçi që të shtyjë seancën plenare të së enjtes për në orën 18:00.

mbledhja pd lsi

Thaçi e Haradinaj krijojnë strukturat e reja për AKS-në në Kosovë

“Draftimi i statutit të Asociacionit do të jetë një proces transparent dhe gjithëpërfshirës, i cili do të përbehet nga tre mekanizma punuese si ai i ekipit menaxhues, komitetit zbatues si dhe Grupit nacional konsultativ”

PRISHTINË – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, së bashku me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet në fuqi kanë riaktivizuar ekipin menaxherial, i cili do të bëjë draftimin e statutit për Asociacionin e Komunave Serbe në Kosovë.

Në një njoftim nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, thuhet se draftimi i statutit të Asociacionit do të jetë një proces transparent dhe gjithëpërfshirës, i cili do të përbehet nga tre mekanizma punuese si ai i ekipit menaxhues, komitetit zbatues si dhe Grupit nacional konsultativ, të cilët do të garantojnë përfshirje të gjithë spektrit politik, shoqërisë civile dhe mekanizmave të tjerë relevant të shoqërisë.

“Në këtë proces do të jenë të përfshirë edhe mekanizma ndërkombëtarë, të cilët e kanë ndihmuar Kosovën në të gjitha fazat dhe ky do të jetë një hap i rëndësishëm i Kosovës në rrugën e saj të integrimeve euro-atlantike. Drafti final i statutit, në fund të procesit bashkë me direktivën, do të dërgohen në Gjykatën Kushtetuese për t’u siguruar se është në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Në njoftim po ashtu theksohet se Kosova me këtë hap përmbushë edhe një obligim ndërkombëtar, duke dëshmuar përkushtimin e saj në rrugën euro-atlantike.

Ndryshe, më 19 prill të vitit 2013 Kosova dhe Serbia me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian arritën “Marrëveshjen e parë mbi parimet qeverisëse për normalizim të marrëdhënieve”, në Bruksel. aa

SHUPLAKË e fortë për Edi Ramën, deputetët e tij PRO kuksianëve

Taksa e vendosur për kalimin e çdo automjeti në Rrugën e Kombit, nuk i duket i lartë vetëm qytetarëve të Shqipërisë e Kosovës, kundërshtarëve të qeverisë në Shqipëri, siç është opozita, apo edhe zyrtarëve të lartë qeveritarë në Kosovë.

Edhe vet brenda mazhorancës, partisë Socialiste që drejton vetë kryeministri Edi Rama, ka zëra që e thonë hapur, se kjo taksë është e lartë dhe zor të përballohet nga xhepat e varfër të shqiptarëve. Ishte Erjon Braçe, i pari që sot në komision parlamentar i tha hapur ministrit të Energjetikës dhe Transportit Damian Gjiknuri, se banorët e zonës, pra Kukësi dhe zonat përreth, duhet të jenë të përjashtuar totalisht nga pagesa e kësaj taksë. Pasi kalimi në Rrugën e Kombit është një nevojë për ta, për të punuar dhe më jetësorja, qoftë edhe për të bërë një vizitë në spital.

I dyti, deputeti socialist Pjerin Ndreu. Përmes një statusi në profilin e tij zyrtar në Facebook, Ndreu thotë se është në mbështjetje të plotë të kuksianëve që protestuan me të drejtë për taksën e lartë. “Kam mbështet dhe do mbështes çdo kuksian që proteston për taksën e lartë, sepse ka të drejtë”, shkruan Ndreu në Facebook. Ai e quan të ligjshme protestën e kuksianëve të cilët u ngritën në revoltë kundër taksës së dyfishtë për Rrugën e Kombit, në një protestë të paralajmëruar paqësore, por që përshkallëzoi në dhunë. Protestuesit flasin për provokim nga ana e policisë që nxiti dhunën, ndërsa vetë kryeministri Edi Rama në një deklaratë pas protestës, foli për vandalë, dhe jo qytetarë. Vandalë që sipas tij ishin nxitur nga opozita në Tiranë për të shkaktuar dhunë. Protesta përfundoi me djegien e sporteleve të ngritura nga koncensionari i Rrugës së Kombit për të bërë pagesën e tarifës, ndërsa policia arrestoi 23 prej protestuesve, 11 prej të cilëve sot në gjykatë u lanë në burg.

Protesta e ligjshme e kuksianeve nuk duhet të përdoret nga matrapazët që e vodhën dhe e degraduan atë rrugë”, thotë Ndreu në rrjetin social. Duke qëndruar në një linjë me kreun e qeverisë se opozita po e shfrytëzon këtë kauzë. Por  diku ndahet qartë nga kryetari i partisë së tij, kryesocialisti Edi Rama. Ky i fundit i përjashtoi nga partia këshilltarët e majtë në Bashkinë e Kukësit vetëm se ishin pro protestës që shqiptarët mbajtën më 31 mars. Një qëndrim krejt të kundërt mban Ndreu: protestë e ligjshme dhe e drejtë kundër taksës së lartë. A do të ketë të njëjtin reagim agresiv Edi Rama edhe ndaj deputetit të tij duke e përjashtuar nga partia vetëm e vetëm se mbështet një protestë qytetare?

Ndërkohë, në statusin e tij në Facebook, deputeti socialist flet edhe për angazhimin e qeverisë për të vënë tarifë më të ulëta për personat që kalojnë më shpesh në Rrugën e Kombit. Teksa shpreht kundër mosbindjes civile që opozita e bashkuar lajmëroi në një vendim unanim: Bllokim rrugësh dhe mos pagim të taksave të reja që qeveria ka ndërmarrë së fundmi.

Qeveria po merret seriozisht me evidentimin e atyre qytetareve qe jane perdorues te shpeshte te rruges qe te kene tarifa te uleta. Kjo do ndodhe patjeter. Por cfare kerkojne keta qe duan mosbindje civile? Pse nuk kthejne se paku 230 milion dollare qe i zhduken dhe e lane rrugen per faqe te zeze ?! Kuksianet me te cilet u rrita dhe qe i dua aq shume per burrrerine e besnikerine, nuk kane se si te bashkojne kerkesat e tyre me intereat e Lul Bashes apo kujdo tjeter. Kthejini Kukesit dhe shqiptareve parate qe ju vodhet, pastaj dukuni per mosbindje civile! Ndersa qeveria te ule taksen per qytetaret qe e perdorin shpesh e qe banojne ne Kukes!”, shkruan Ndreu.

/Gazeta Express

Protesta para Gjykatës – Tirana u blindua nga 2000 policë, 5 persona u shoqëruan në komisariat

Mes protestave dhe sigurisë të lartë të rendit u dha sot nga Gjykata e Kukësit masa e sigurisë për 23 të arrestuarit në kukës të cilët protestuan në Kalimash për taksën e vendosur nga qeveria për “Rrugën e Kombit”.

 

11 prej të arrestuarve u lanë në qeli pas vendimit nga gjyqtarja Alma Ahmeti.

E ndërsa para gjykatës u zhvendosën protestuesit e shumtë disa prej të cilëve familjarë të të arrestuarve por edhe përfaqësues nga shoqëeria civile dhe deputetë të opozitës .

Që prej ditës së djeshme Drejtoria e Policisë vendosi në gatishmëri 6 komisariate.

Po ashtu mësohet nga burime zyrtare se kanë qenë të paktën 2000 policë në gadishmëri.

Po ashtu Shërbimet e Policisë të Komisariatit nr. 2 shoqëruan për disa minuta në ambjentet e këtij Komisariati dhe proceduan në gjendje të lirë për veprën penale “Tubim i paligjshëm”, “Pengim i qarkullimit të mjeteve të transportit” dhe “Prishje të rendit dhe qetësisë publike”, shtetasit:

– Y.Sh., 34 vjeç;

– S.P., 21 vjeç;

– A.Z., 28 vjeç;

– G.Gj., 30 vjeç;

– M.N., 30 vjeç.

Keta shtetas u shoqeruan sipas procedurave standarde dhe Rregullores së Policisë së Shtetit dhe në asnjë moment nuk është ushtruar dhunë ndaj tyre.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjygjësor Tiranë për veprime të mëtejshme.

Kurti-Ramës: Hiqe taksën e Rrugës së Kombit- Taksa është e shtrenjtë, kosovarët nuk janë të pasur

TIRANË- Nën kujdesin e Partisë Evropiane Socialiste u zhvillua në Tiranë konferenca ballkanike e të majtëve të rajonit, ku nga Kosova ishin të pranishëm Albin Kurti i Vetëvendosjes dhe Fatmir Limaj i Nismës.

Kryeministri Edi Rama i kërkoi gjatë fjalës së tij Brukselit që të mbajë fjalën e të heqë vizat për qytetarët e Kosovës.

“Për ne shqiptarët është me rëndësi që Bashkimi Evropian të mbajë fjalën dhe të liberalizojë lëvizjen për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe jam i bindur se Presidenti i Partisë Socialiste Evropiane ndan të njëjtin qëndrim”, deklaroi kryeministri.

Albin Kurti u pa sot të pinte kafe me kryeministrin Edi Rama të cilit mësohet t’i këtë kërkuar që të heqë taksën e Rrugës së Kombit.

“Taksa është e shtrenjtë, kosovarët nuk janë të pasur. Është më mirë mirëmbajtja nga taksat e shtetit”, deklaroi Kurti.

Gjykata vendos për 23 të arrestuarit e “Rrugës së Kombit”, ja kush lirohet e kush mbetet në burg

Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, pas disa orësh më në fund ka dhënë vendimin e saj për protestuesit e arrestuar.

Kështu 10 protestues kanë mbetur në burg, për 10 të tjerë është vendosur masa “detyrim paraqitje”, njëri është lënë 20 ditë burg dhe dy “arrest shtepie”.

Ja masat pë 23 personat

1-Ahmet Tobli “Detyrim paraqitje”

2-Lulëzim Popa “Detyrim paraqitje

3-Sajmir Trota “Detyrim paraqitje”

4-Lefter Rexhmati “Detyrim paraqitje”

5-Adem Duraku “Detyrim paraqitje”

6-Armand Ademi “Detyrim paraqitje”

7-Ardit Alidini “Detyrim paraqitje”

8-Zenel Matmuja “Detyrim paraqitje”

9-Fatos Harulla “Detyrim paraqitje”

10-Rasim Koloshi “Detyrim paraqitje”

11-Shaban Selmanaj “Arrest shtëpie”

12-Shemsi Trota “Arrest shtëpie”

13-Shpëtim Toda “Arrest në burg” me afat 20 ditë

14-Xhevahir Hereni “Arrest në burg”

15-Elton Cengu “Arrest në burg”

16-Florin Onuzi “Arrest në burg”

17-Shkëlqim Vata “Arrest në burg”

18-Xhevahir Gashi “Arrest në burg”

19-Ervis Ruçi “Arrest në burg”

20-Rasim Onuzi “Arrest në burg”

21-Vasil Laçi “Arrest në burg”

22-Abdi Haziri “Arrest në burg”

23-Edmond Matmuja“Arrest në burg”

Pasi gjyqtarja përfundoi leximin e vendimit në sallë janë dëgjuar të thërrasin “Turp! Turp!”. Policia mori masa të jashtëzakonshme për mbarëvajtjen normale të seancës, duke angazhuar gati 1 mijë efektivë.

Ndërkohë, pati edhe tensione mes disa deputetëve të Partisë Demokratike dhe forcave të policisë, të cilat fillimisht nuk i lejuan të futen në sallën e gjyqit. Edmond Spaho u shfaq i gjakosur teksa foli për mediat. “Do të përplasen me qytetarët, do të përplasen me ne. Forcat e policisë ushtruan dhunë. Me dhunë Edi Rama nuk do ta ketë të gjatë”, tha Sapho.

Ai telefonoi edhe ministrin e Brendshëm Xhafaj, duke i kërkuar largimin e policisë, e cila më pas lejoi deputetët e PD të futen në sallën e gjyqit, e cila u zhvillua pa praninë e medias.

Në anën tjetër të Lanës, nuk mungoi edhe grumbullimi i qytetarëve në mbështetje të të arrestuarve. Ata kërkuan lirimin e tyre, duke thirrur me megafon: “Lironi djemtë tanë! Rama ik! Arrestoni qeveritarët”.

“Do ta shikosh” – Deputeti që u gjakos në gjykatë telefonon Xhafajn dhe drejtorin e Policisë

Deputeti i PD Edmond Spaho, që u gjakos nga përplasja me policinë brenda gjykatës së Tiranës, teksa tentonin të hynin në sallën e gjyqit për të ndjekur seancën për masat e sigurisë për 23 të ndaluarit e protestës së Kalimashit, ka telefonuar ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafën dhe ka treguar edhe bisedën me të:

 

“Mua më thanë se mund të hyj në seancë dhe erdha këtu, tani nuk na lë policia. Ne jemi deputetë dhe duhet të hyjmë. Ju nuk e keni problem të rregulloni letrat. Ju e bëni pasnesër vendimin dhe thoni që e kemi marrë dje”, ishte shqetësimi që i shprehu Spaho Xhafajt.

spaaa-800x450

“Ministri i brendshëm thotë nuk di gjë, nuk jam këtu, jam në takim”, ishte përgjigja e Xhafajt, sipas Spahos.

Ndërkohë telefonata tjetër e Spahos ka qenë me drejtorin e Policisë së Tiranës, Skënderaj të cilin e ka akuzuar se deputetet e PD janë penguar me urdhër që të mos futen në seancë. Spaho i kërkon që të tregojë se kush e ka urdhëruar që t’i pengojë që të futen në gjykatë.

“Kush të ka dhënë urdhër ty të mos më lejosh mua. Më thuaj kush të ka dhënë urdhër. Gjykata vendos kur vendos seancë me dyer të mbyllura. Po qe seancë me dyer të hapura dhe ska vendim, ti nuk ke të drejtë të më ndalosh. Ti më ke penguar, më kanë penguar forcat e tua dhe këtë do ta shikosh?” shprehet Spaho.

spaho gjak

Përplasje në gjykatë, gjakoset deputeti i PD: Policia na dhunoi, Rama s’do e ketë kollaj (paralajmërimi)

Ka pasur përplasje mes policisë dhe deputetëve të PD sot brenda Gjykatës së Tiranës.

Deputetët nuk janë lejuar të hyjnë brenda në salllën që do jepet vendimi për 23 të ndaluarit.

Një nga deputetët e PD, Edmond Spaho është lënduar dhe në një deklaratë të shkurtër për mediat, ka bërë një paralajmërim për Edi Ramën.

“Jemi te gjithe koleget aty, te kuptoni shtetin diktatorial te Edi Rames. Policia nuk na lejoi të futeshim, ushtruan dhunë shikoni në cfarë gjendje jemi. Edi Rama ka për ta pasur shumë shpejt fundin, keshtu me dhune edhe si ka rrethuar gjysmen e Tiranes, nuk do e ketë kollaj do përplaset me qytetarët, do përplaset me ne. Nuk na e del dot me dhune”.

 

 

Pse u shënjestrua ish deputeti i PD-së Azgan Haklaj?! – Nga Dukagjin Hata

Lista e të shpallurve në kërkim, një “gjueti shtrigash”?!

 

Nuk dua të merrem me absurditetin e një taksimi në erë, larg çdo bilanci real të nevojave dhe mundësive të një populli të varfër, me një mijë e një arsyet se pse ky taksim është një gur në qafën e argasur të njerëzve që kanë humbur shpresën e ku banorët e Kukësit dhe të rrethinave mbajnë kryet e vendit. Por më ka bërë përshtypje ngutja gjer në alarm, me të cilin u përpilua lista e të shpallurve në kërkim, marrja në mes të natës dhe degdisja e pjesëtarëve të kësaj liste jashtë zonës së juridiksionit të hetimit dhe arrestimit, pra një lloj pengmarrje.

Më befasoi një emër në këtë listë, emri i Azgan Haklajt, ish deputet i PD-së, një aktivist i përkushtuar i frontit opozitar, në përballje të hapura mediatike e më gjërë me qeverinë e mazhorancës së majtë. Kritikat e tij të ashpra ndaj Kryeministrit dhe funksionarëve të lartë të ekzekutivit janë një dëshmi e kësaj përballjeje. Veprimtari atdhetar dhe kulturologjik, politikani aktiv Azgan Haklaj, siç e deklaron edhe vetë, mori pjesë në protestën paqësore për traun pa alternativë dhe taksën e dyfishtë ndaj qytetarëve të këtij vendi, “si obligim moral, si ish pushtetar lokal i qarkut Kukes, si ish deputet i Tropojës i zgjedhur ndonëse i burgosur politik”. Haklaj shpallet në kërkim për gjoja “nxitje të dhunës e shkatërrimit” në këtë demonstrim, ndërkohë që gjatë gjithë kohës që janë transmetuar pamjet filmike, të cilat tashmë kanë bërë xhiron e botës, ai shfaqet i qetë dhe paqësor në mes të protestuesve. Provokimi i rëndë nga policia ndaj qytetarëve, siç dëshmojnë pamjet filmike,bënë që të avragonte rëndë situata, por nguti për të përfshirë në këto lista një personalitet si A. Haklaj, me rrezonancë të fortë politike dhe mediatike, tregon se më shumë se tentim për të hetuar të ndodhurën, kemi të bëjmë me një “gjueti shtrgash”, me një listë të përgatitur nën ethet e një ngutjes për të ndëshkuar kundërshtarët politikë.

Azgan Haklaj ka qëndruar me stoicizëm dhe qëndrestari në Shqipëri, duke luftuar me art, me libra dhe kulturë, për ta bërë më të ndjeshme e më të drejtë këtë shoqërinë tonë në kthetrat e këtij tranzicioni.

Ish politikan aktiv i Partisë Demokratike, që fitoi zgjedhjet në garën për deputet të Kuvendit të Shqipërisë në zgedhjet e vitit 2001, duke qenë i burgosur politik nga qeveria ekstremiste majtiste, ai ka provuar në lëkurë përndjekje, shantazhe, mbi të dhe familjen e tij janë bërë gjashtë atentate politike, disa herë i kanë vendosur eksplozivë në banesë, por ai ka vazhduar kauzën e tij.. Mbi politikanin Azgan Haklaj janë përdorur të gjitha llojet e atentateve, që nga snajperi, C4, granatimi me armë të rënda, aksidenti me makinë e deri tek tentativa për ta helmuar.

Kjo listë e përgatitur nën ethe, në ngut dhe panik, nuk e zbardh të vërtetën e demonstrimeve, që degjeneruan në dhunë e shkatërrim, aq më pak e zgjidh çështjen e taksimit emotiv të Rrugës së Kombit Kohët e turbullta dhe politika pisqollë janë të përkohshme, lufta për ta bërë më të drejtë e më të mirë këtë shoqëri do të jenë një rrugë e përhershme, ku ecin njerëz si Azgan Haklaj dhe qëndrestarë të tjerë.

Vritet me armë ish-Kryekomunari në Skrapar, shkak konflikti për pronat

Vritet me armë zjarri ish-Kryekomunari i fshatit Rehovë në Skrapar, Jonuz Banaj, 60 vjeç. Ngjarja e rëndë ndodhi këtë të martë rreth orës 9:40, ku pas një sherri për motive pronësie, Fatmir Cenaj, 58 vjeç ka qëlluar me armë në drejtim të ish-Kryekomunarit.

Për pasojë, ai i mbeti i plagosur rëndë, duke bërë që të transportohej me helikopter për në Spitalin Ushtarak Tiranë, për ndihmë mjeksëore më të specializuar. Por pavarësisht ndërhyrjes së bluzave të bardha, Banaj ka ndërruar jetë pas disa orësh, pa mundur t’u mbijetojë dot plagëve të marra.

Menjëherë shërbimet e policisë organizuan punën dhe fal veprimeve të shpejta bënë kapjen dhe arrestimin në kohë rekord të autorit i cili ishte fshehur në kodrat e fshatit.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua dhe arma tip automatik model 56. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Dhuna është e vetmja gjuhë që pushteti kupton – Nga Gjergj Erebara

Në një situatë normale, e ashtuquajtura “taksë mbi rrugën e kombit” do të ishte diskutuar nëpër forume, brenda partive politike, nëpër qendra sociale, media, organizata biznesi etj. Në një situatë anormale, asgjë e tillë nuk ndodhi. Taksa mbeti për t’u diskutuar në rrugën e Kombit, ku gjuha e komunikimit ishte dhuna dhe zjarrvënia.

Popullsia e Kukësit nuk është njohur kurrë për dhunë. Në këtë qytet nuk ka pasur kurrë rebelime anti-qeveritare. Përdorimi i dhunës prej protestuesve të shtunën e kaluar vështirë se është një tejkalim i pajustifikuar nga protestuesit. Mundet, siç pretendon qeveria, që opozita politike të ketë pasur një rol në protestë dhe në dhunë, por opozita vështirë se mund të organizojë dhunë nga asgjëja. Në pamjet e transmetuara në media nga ngjarja e të shtunës, mund të dalloje burra të moshuar të cilët i hidhnin gurë policisë. Dhe pastaj, lavdet e pafundme që morën zjarrvënësit në median konvencionale dhe atë sociale, një farë ekzaltimi i përgjithshëm për ‘t’i treguar vendin’ qeverisë, diskutimet me ‘oligarkë’ dhe thirrjet për bojkot të kompanisë së naftës Kastrati, (bashkëpronare e koncesionit të rrugës), flasin për një situatë shumë të pakëndshme.

Problemi më i madh është që shqiptarët nuk duket se presin ndonjë ndryshim të situatës me votë. Opozita është po aq e diskretituar sa edhe maxhoranca. Ato pak biznesmenë që kanë fituar kapital, më së shumti përmes lidhjes biznes-politikë dhe që sot quhen “oligarkë”, po e gjejnë veten në situatën kur thirrjet për zjarrvënie të pronave të tyre po duken “normale”.

Në një situatë normale, komunikimi politik brenda dhe jashtë partive do të duhej të shmangnin përshkallëzime të tilla. Qeveria në fund të fundit, nuk duhet të presë të shohë zjarrvënie për të kuptuar se Kukësi është zona më e varfër në Shqipëri. Ka një larmishmëri statistikash që ta tregojnë këtë. Është gjithashtu e palogjikshme të pritet dhuna për të kuptuar se rruga në shumicën dërrmuese të rasteve përdoret për hall, e nganjëherë, përdoret edhe për qejf.

Komunikimi normal nuk funksionon në Shqipëri, e gjasat janë që nuk ka funksionuar kurrë në të shkuarën. Partitë politike kanë kanale dhune dhe imponimi pushteti nga lartë-poshtë dhe jo anasjelltas. Strukturat e tjera shoqërore që duhet të sjellin presion normal për ta mbajtur nën kontroll qeverinë duket se janë të dobëta ose nuk funksionojnë fare. Parlamenti nuk është hallkë kontrolli ndaj qeverisë. Prokuroria duket shumë e vendosur për të hetuar protestuesit, por nuk ka shfaqur kurrfarë interesi për të hetuar koncesionet.

Alarmante është se qeveria duket se i di mirë këto punë, por është me parimin se duhet ta zhvasë popullin sa më shumë që ai “të mbajë”. Ka një zinxhir të gjatë taksash të rritura gjatë viteve të fundit sipas parimit “populli mban”. Në shumë raste, këto taksa nuk kanë as logjikën më elementare të taksës, ose të “së mirës së përbashkët”. Ato janë në thelb, abuzime me pushtetin. Kjo është një logjikë e realpolitikës. Votat nuk varen aq shumë nga aftësia për të bindur se po ofron një alternativë, por nga aftësia për të ndërtuar makineri politike, të cilat përdorin shtrëngimin, shantazhin, paranë dhe me raste, dhunën e hapur për të akumuluar vota. Këto makineri politike, të cilat i kemi parë të zhvilluara nga zgjedhjet në zgjedhje, kanë nevojë për para për të funksionuar, dhe nevoja e tyre për para degjeneron në imponimin e gjithnjë e më shumë taksave si dhe keqpërdorimin e gjithnjë e më shumë parave nga buxheti i shtetit. Aktualisht buxheti i shtetit nuk duket se ka ndonjë ngushtësi. Qeveria shpesh e gjen veten të paaftë për të shpenzuar taksat që mbledh dhe për rrjedhojë, vështirë se ka nevojë për më shumë taksa. Qeveria aktuale nuk ka qenë në gjendje të ndërtojë as edhe një rrugë, as edhe një ujësjellës. Qeveria gjendet në situatën se pavarësisht se ka para, nuk është në gjendje të zbatojë kurrfarë investimi publik. Paratë zhduken në mënyrë të mistershme. Kostot e punëve publike janë inflacionuar në mënyrë të pabesueshme. Para 20 vjetësh, mjaftonte një milionë euro për të ndërtuar një kilometër autostradë. Sot nuk mjaftojnë as 20 milionë euro.

Kjo lloj politike shkakton disbalanca të mëdha, pabarazi ekstreme në shoqëri dhe degradim shoqëror e mjedisor. Shihni p.sh. realitetin me taksën e “Rrugës së Kombit”. Tre qeveri, ajo e shkuar e “djathë” dhe dy qeveritë “e majta” që e pasuan, kishin dëshirë për të vendosur taksë në këtë rrugë, pasi qeveria e parë harxhoi mbi 1 miliardë dollarë për ta ndërtuar, shoqëruar kjo me akuza penale për abuzime me tenderin, akuza që u mbyllën me procedurë. Megjithatë, taksa e rrugës së kombit pritet të japë disa milionë euro të ardhura në vit, ndërkohë që vetëm vitin e kaluar, një kompani nafte me bekimin e qeverisë aktuale la mbi 60 milionë euro taksa të papaguara. Aq taksa sa la pa paguar IRTC gjatë vitit 2017 do të duhet mbi dhjetë vjet që të vilen nga kuksianët, kosovarët dhe shqiptarët në tërësi, qoftë në formën e taksës mbi rrugë, qoftë në formën e transfertave nga buxheti i shtetit. Përgjatë të gjithë kësaj kohe, as policia dhe as prokuroria nuk dinë gjë. Nuk pati arrestime në mes të natës për 60 milionë eurot e papaguara. Të 60 milionët janë “biznes si zakonisht”.

Ky lloj sistemi politik nuk është unik për Shqipërinë. Ka shumë raste nëpër botë kur makineritë politike të mbështetura me zhvatje kanë arritur të fitojnë zgjedhjet me synimin për të zhvatur akoma më shumë. Koncesionet, e përdorura gjerësisht nga qeveria ‘demokrate’, ajo ‘PS-LSI’ e katër viteve të shkuara dhe qeveria aktuale ‘PS’ janë në thelb ushqyese të kësaj makinerie politike të pangopur dhe të pangopshme.

Shih p.sh. deklaratat plot edukatë por tërësisht të logjikshme të Fondit Monetar Ndërkombëtar. FMN thotë se qeveria nuk ka kapacitetet për të vlerësuar siç duhet kostot dhe përfitimet nga këto kontrata koncesionare. Ajo këmbëngul që kostot e këtyre kontratave të llogariten si “borxh publik” dhe këmbëngul gjithashtu që qeveria “të vetëpërmbahet” nga dhënia e kontratave të reja koncesionare. Ajo çfarë FMN e thotë me edukatë është që këto kontrata koncesionare nuk janë në të mirë të shqiptarëve, se kostot e tyre janë të “fshehura”. Një pjesë e qytetarëve në mënyrë të paedukatë, por më të drejtpërdrejtë, i quajnë këto kontrata vjedhje. Qeveria e shkuar demokrate është përgjegjëse për qindramilionë euro kontrata të tilla dhe qeveria aktuale gjithashtu. Kostot e këtyre koncesioneve kanë rënduar mbi xhepat e shqiptarëve. Por ka raste kur “populli nuk mban më”. Dhe në këto raste, zjarrvënia duket një alternativë e logjikshme në kushtet kur kanalet politike të komunikimit nuk ofrojnë një alternativë.

Mënyra se si qeveria vendosi të reagojë ndaj këtij realiteti është “sipas librit” për menaxhimin e krizave. Themeli i menaxhimit të krizave është çmontimi i tyre me një kombinim të dhunës, korruptimit, zvarritjes dhe depistimit të debatit.

Arrestimi i dhjetëra qytetarëve protestues në orët e vona të natës, pa kurrfarë justifikimi nga ana e policisë dhe jashtë kushteve të flagrancës, shoqëruar me mbajtjen e tyre të ndaluar në afatet maksimale kushtetuese, shoqëruar me denigrimin publik të tyre si “persona me precedentë penalë”, tregojnë se qeveria është e vendosur t’i përgjigjet dhunës me dhunë. Qeveria duket se beson se problemi i ka lindur jo për shkak se ka vendosur një taksë private të cilën qytetarët e shohin si vjedhje që tejkalon limitin e “vjedhjes së pranueshme”, por ka lindur për shkak se nuk e ka propaganduar mirë domosdoshmërinë e vendosjes së kësaj takse. Ajo refuzon t’i japë përgjigje pyetjes bazë: sa para do të marrë koncesionari dhe sa para do të japë?

Kaosi është një rrezik real në këtë situatë. Dhuna është një opsion relativisht i lehtë në krahasim me mjetet normale të politikës. Dikush duhet të pyesë se si mbërritëm deri në këtë pikë, te pika ku politika dhe i ashtuquajturi “biznes” (që në thelb është një ekstension i politikës), nuk kupton asnjë gjuhë tjetër veç dhunës.

Mosbindja civile e opozitës nis të enjten, zbulohet urdhri: Bllokoni rrugët kryesore

Pas takimit të Bashës me krerët e degëve, mësohet se PD ka vendosur nisjen e mosbindjes civile.

Burime për “Panorama” bëjnë me dije se të enjten do të ketë bllokim rrugëve kryesore, si shenja e parë e mosbindjes civile.

 

Rrugët që do të bllokohen janë Lushnje-Fier, Vorë-Fushë-Krujë dhe akse të tjera në veri të vendit.

Pjesa më e madhe e grupit parlamentar do të jetë me qytetarët në protestat që do të zhvillohen në këto akse.

Ndërkohë që mendohet që disa nga drejtuesit e grupit parlamentar do të jenë në Parlament për t’i kërkuar qeverisë të reflektojë.

Basha i vendosur për mosbindjen civile, apel qytetarëve: Mos paguani taksat, nuk kanë çfarë t’ju bëjnë

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha iu ka bërë sërish thirrje shqiptarëve t’i bashkohen mosbindjes civile pasi kjo sipas tij është e vetmja rrugë për të shpëtuar nga Edi Rama.

Në një dalje për mediat ai tha se taksat e shqiptarëve nuk shkojnë për investime por për incerenatorët e Ahmetajt dhe koncensionet e Vilma Nushit. Kështu, sipas tij shqiptarët nuk duhet të baguajnë asnjë taksë të rritur.

 

“Rama i grabit dyfish shqiptarët, dhe pastaj u bie dyfish me kërbaç, reagimi i shqiptarëve në Kukës dhe në mbarë vendin është për situatën në të cilën ndodhen. Merr miliona euro nga taksa e qarkullimit, por nuk i përdor për rrugët. Dhe sot vendos një tjetër taksë për të kaluar rrugën. Ky është taksim i dyfishtë i shqiptareve.

Nuk shpenzon asnjë cent nga këto 800 mijë euro të mbledhura, por iu vendos këtë taksë shqiptarëve. Ata që u çuan atje u çuan  për bukën e gojës. Kjo protestë ka me vete të gjithë shqiptarët. Rama mbledh taksa por nuk i çon për arsyet që duhet. I çon për incerenatorët e Arben Ahmetajt dhe koncesioneve Vilma Nushit.

Ky është një reagim për grabitjen që po i bën Rama shqiptarëve duke i grabitur. Një javë i dha leje Rama të arratiset Çelajt që solli 613 kg kokainë. I lirë është edhe Tahiri dhe vëllai i Xhafës. Dhe shkon në mes të natës dhe arreston njerëzit që çohen për padrejtësitë. Mosbindje do të thotë mos të pranosh të paguash taksën e rritur, sepse këto taksa nuk shkojnë për qytetarët. Mos paguani taksa. Kjo është rruga e vetme. Të gjithë nuk i fut dot në burg. Sot jemi në krahë të shqiptarëve dhe atyre 23 personave të arrestuar. Unë i bëj thirrje që të tërheqë policinë në Kukës, të arrestojë Tahirin, të arrestojë Xhafa vëllain e vet,” tha Basha


Send this to a friend