Berisha: Ne e rithemeluam PD-në sepse kulti ynë është vota e lirë
“Do filloj fjalën time me një mirënjohje të pakufishme ndaj jush se qëndruat ju në idealet tuaja më të larta njerëzore, ne jemi sot këtu më të fortë se kurrë. Rrofshi ju, Zoti ju bekoftë”.
Kështu e nisi fjalën e tij në Kuvendin Kombëtar, lideri historik i demokratëve, Sali Berisha.
Sipas tij, në këtë Kuvend do vendoset jo vetëm për fatet e PD-së, por edhe të pluralizmit.
“Ne mblidhemi sot krenarë sepse pas një eksperience unike në historinë e një force politike në Europë, patëm një ditëlindje të dytë. Më 11 dhjetor të vitit 2021, me një Kuvend historik, rilindi sërish PD-ja, kjo parti nuk vdes kurrë. Ajo jeton dhe do të jetojë në idealet më fisnike të shqiptarëve.
Ju e rithemeluat atë sepse donit të fshinit nga faqja e dheut, regjimin e bazuar në krimin, drogën dhe urrejtjen ndaj shqiptarëve. Ju u bashkuat dhe ne rithemeluam PD-në, pasi donim që kjo parti, ashtu siç lindi, të mbetej avokate e pamposhtur e vlerave më të arrira konservatore.
Ne u rithemeluam sepse ne donim të vendosur të mbrojmë interesin kombëtar të shqiptarëve, të nëpërkambur nga një albanofob bastard i nomenklaturës së vjetër komuniste, që shqelmon mbi dinjitetin dhe interesat e shqiptarëve, Edi Rama.
Ne u rithemeluam sepse kulti ynë është vota e lirë. Ne u rithemeluam të vendosur se për demokratët shqiptarë do të vendosin vetëm ata me votën e tyre të lirë,” tha Berisha.
Berisha akuzon Bashën, Sorosin dhe Ramën: Kjo rrugë na u imponua
Lideri historik demokrat, Sali Berisha, tha në Kuvendin Kombëtar se Foltorja ishte një rrugë e imponuar.
“Rruga e Foltores na u imponua. Kjo rrugë u imponua se ne në 8 vite po kalonim nga disfata në disfatë. Nga dështimi në dështim. Të gjitha këto për shkak të një udhëheqësi të papërgjegjshëm, që e konsideroi këtë parti si një sipërmarrje private. Parimet e vlerat ai i zëvendësoi me pazaret me qeverinë…
Nuk e kishim të lehtë këtë rrugë. Ne u përballëm këto muaj me të gjithë egërsinë e narkoshtetit, miliardat e parave të drogës dhe krimit. U përballëm këto muaj me kurthet e neveritshme të ish-drejtuesit të saj, por e vërteta është se u përballëm me përpjekje të jashtëzakonshme të Soros dhe mafies së tij për të shkatërruar opozitën shqiptare, për ta shndërruar atë në një gjethe fike të të majtës shqiptare dhe Edi Ramës. Por këto përpjekje dështuan.
Me këtë rast dua t’u them atyre që mendojnë se mund të mbajnë një pseudo-opozitë në këmbë, se gabohem: opozita nuk emërohet, ajo nuk delegohet, ajo është moral. Ja ku jemi sot, opozitë e vërtetë, në këmbë e gatshme për çdo betejë.
Unë jam sanksionuar nga DASH me akuza për të cilat në mënyrë absolute nuk ekziston asnjë fakt apo provë. Jam sanksionuar nga lobimi korruptiv i George Soros dhe Edi Ramës. Cilido që paraqet një fakt, një dokument, një provë më të vogël kundër Sali Berishës, ai është i gatshëm që të marrë çdo masë ndaj vetes së tij.
Unë jam Sali Berisha, kurrë nuk e pranoj shpifjen dhe gënjeshtrën për të vërtetë,” tha Berisha.
Berisha: Ky Kuvend hap kapitullin e përballjes me qeverinë kriminale
Lideri historik i demokratëve, Sali Berisha, deklaroi se me këtë Kuvend Kombëtar do të nisë një kapitull i ri.
“Kemi muaj që për shkak të këtyre ndërhyrjeve, ne merremi me veten tonë. Ky Kuvend shënon fundin e këtij kapitulli. Ky Kuvend hap kapitullin e përballjes me qeverinë më të korruptuar të Europës, të qeverisë së shndërruar në organizatë kriminale. Kryeministri absolutisht më i pashkollë në historinë e shtetit shqiptar. Shqipëria ulërin në katër anët e saj. Shoqëria shqiptare lëngon në katër anët e saj. Edi Rama po vret shpresën në çdo skaj dhe shesh të Shqipërisë.
Ndaj dhe ne duhet të bëjmë gjithçka për të rikthyer shpresën për të rinjtë shqiptarë në radhë të parë, pastaj për të gjithë shqiptarët, një detyrë plotësisht e mundshme,” tha Berisha.
Më tej ai u ndal te situata e vështirë ekonomike në vend. Berisha tha se kriza e çmimeve u ndje tre herë më shumë në Shqipëri edhe se në Ukrainë.
Sipas tij, qeveria po e përdor krizën për pasurimin e saj.
“Sot para shqiptarëve ka vetëm një alternativë, kjo është PD e rithemeluar mbi vlerat konservatore. Sot mes nesh kemi 70 kryetarë të degëve të PD-së, të zgjedhur për herë të parë me një anëtar, një votë. Ata firmosën fundin e kryetarokracisë, asnjëri prej tyre nuk u emërua nga kryesia, nuk u emëruan nga kryetari. Të gjithë u propozuan nga kryesia, sipas statutit të PD-së të dhjetorit 2021, Kushtetutës tonë të lirisë,” tha Berisha.
“Aty ku dhunohet e drejta, lind qëndresa, lind protesta. Apatia e opozitës merr fund,” u zotua Berisha.
Berisha: Në pushtet, do zhdukim pasojat katastrofike të reformës së dështuar në drejtësi
Lideri historik demokrat, Sali Berisha premtoi në Kuvendin Kombëtar të PD-së se në pushtet, ai do të zhdukë pasojat katastrofike të reformës së dështuar në drejtësi.
“Drejtësia është e gjitha në funksion të ekzekutivit. Sot ryshfeti për të ofruar dosjen në një afat të pranueshëm për shqyrtim është më i lartë se kurrë në historinë e vendit, përndryshe drejtësi nuk merr.
Në zotohemi që nesër në pushtet, me insttuiconet më të mira evropiane dhe amerikane, do bëjmë gjithçka për të zhdukur pasojat katastrofave të kësaj reforme të dështuar.
Të rikthejmë ligjin për një proces të drejtë ligjor. Të vendosim sigurinë ligjore si kusht të të gjitha kushteve për të pasur shoqëri të lirë, për të pasur treg të lirë, për të pasur investime, për të ecur në procesin e integrimit,” tha Berisha.
“Shqipëria 8 vite mbeti aty ku ishte në procesin e integrimit. Shqipëria në këto vite thirret rëndom Kolumbi e Evropës, kanabistan. Shqiptarët zbritën nga qytetarët më të paguar të rajonit në qytetarët më pak të paguar. Pandemia mori jetë dhe shpirtra njerëzish më shumë se në çdo vend të Europës. Shqiptarët sot kanë numrin më të ulët të personelit shëndetësor për frymë në Europë. Të gjitha këto sepse personeli shëndetësor është më pak i paguari”.
“Një shkatërrim të plotë ka sot sistemi arsimor. Gjithçka mbulohet më një propagandë banale, vulgare sipas ligjit gënje, gënje se diçka do besohet. Sot para shqiptarëve ka vetëm një alternativë dhe kjo është PD-ja e rithemeluar mbi vlerat konservatore. Po, unë mendoj se ne kemi nisur në rrugën e duhur. Miqtë e mi, rezervat tona, potenciali ynë është liria. Pasuritë e saj janë vlerat konservatore ndaj dhe ne betejën tonë me këto vlera do ta vazhdojmë gjer në triumfin e plotë në Shqipëri. Modelin që zgjodhëm të përfaqësimit do ta konsolidojmë. Votën e lirë do ta konsolidojmë. Por mos harrojmë se ne u themeluam si parti e të drejtave e lirive njerëzore”.
Berisha: Shtetësi shqiptare për çdo shqiptar kudo, edhe në Kosovë! Vuçiçi do ketë fatin e Putinit nëse…
Lideri historik demokrat, Sali Berisha, në fjalën e tij në Kuvendin Kombëtar të PD-së, lëshoi akuza të rënda ndaj Edi Ramës, duke përmendur këtu edhe marrëdhëniet e kryeministrit me Vuçiç.
Berisha tha se Rama e ka kthyer Shqipërinë në epiqendër të luftës së ftohtë të Serbisë ndaj Kosovës. “Kryetarë shtetesh hapin sytë kur e dëgjojnë Ramën të flasë me aq pasion për Vuçiç. Ne jemi për bashkëpunim rajonal, por nuk mund ta shndërrojmë Shqipërinë në epiqendër të luftës së ftohte ndaj Kosovës”, tha Berisha.
“Ne nuk do e pranojmë kurrë Ballkanin e Hapur, një aleancë antishqiptare, një aleancë që është fund e krye në shërbim të Serbisë së Madhe. Ajo është në shërbim të influencës ruse në rajon. Koha po provon se miku i ngushtë i Edi Ramës, Aleksandër Vuçiç, ka rikthyer Serbinë me politikën e tij, ashtu siç ka qenë 100 vite më parë, një Rusi e vogël në rajon.
Megjithatë ne jemi këtu prapë në këmbë, për t’i thënë këtij serbomadhi se çdo përpjekje për destabilizimin e Kosovës, do përballet me reagimin e kombit shqiptar si një komb i vetëm. Asgjë nuk na impresionon ne. Nëse do paqe e bashkëpunim, jemi të hapur. Atë fat që do ketë Putini, do e kesh edhe ti nëse kërcënon,” tha Berisha.
Lideri historik u zotua se me ardhjen e PD-së në pushtet, do të nënshkruhet një marrëveshje që qytetarët e Kosovës të gëzojnë shtetësinë shqiptare apo dyshtetësi si qytetarët që jetojnë këtu.
“Imagjinoni ju ata burra e gra e të rinj që këto 30 vite kanë nisur djersën mundin, shpirtin, miliarda euro në Shqipëri, e janë shndërruar faktor kryesor në mbështetjen e familjeve shqiptare, por dhe në bilancin tregtar të vendit, atyre nuk u njihet asnjë e drejtë nga Shqipëria, përkundrazi dhjetëra-mijëra prej tyre që vuajnë shumë për të rikthyer shtetësinë e tyre.
Këto marrin fund, shqiptarët kudo ku janë do kenë shtetësinë shqiptare, shqiptarët e Kosovës në një marrëveshje do gëzojnë këtë shtetësi apo dyshtetësi si qytetarët shqiptarë këtu apo në Kosovë”.
Berisha: Sot nisim marshin tonë drejt fitores, do mbushim sheshet për të drejtat e shqiptarëve
Në fund të fjalës së tij në Kuvendin Kombëtar të PD-së, lideri historik Sali Berisha tha se tani nis marshimi drejt fitores.
“Ne qëndrojmë të vendosur në idealet dhe vlerat tona. Ky Kuvend hap një kapitull historik për ne, kapitullin e marshit tonë drejt fitores.
Disa thonë: A mundet Edi Rama? Po a nuk jemi ne bashkë që e kemi mundur tre herë? Edhe gjashtë herë të tjera do e mundim.
Por ky marsh, ky udhëtim kërkon nga ne të bëjmë gjithçka për mendjen dhe zemrat e shqiptarëve,” tha Berisha.
Po ashtu, ai garantoi se shqiptarët dhe bizneset do të kenë taksat më të ulëta në Europë.
“Sot 50% e shqiptarëve lëngojnë në varfëri. Mjerimi ose varfëria janë rritur 3 ose 4 herë. Pagat, pensionet janë bërë qesharake. Me të drejtë, secili prej jush dhe çdo demokrat e demokrate shtron pyetjen: si do e ndryshoni ju këtë gjendje kaq të rëndë? Përgjigja është një dhe vetëm një: Ne këtë gjendje do e ndryshojmë dhe japim fund sepse do të ndezim motorët e entuziazmit të tregut. Ne që sollëm tregun e lirë. Mos harroni se 30 vite më parë ne vendosëm taksën më kryesore, taksën e vlerës së shtuar, të dytën më të ulëtën në botë. Jemi parti e taksave të ulëta. Garantoj shqiptarët dhe bizneset se Shqipëria do të jetë vendi i taksave më të ulëta në Europë. Jo vetëm kaq, por ky është vend i bekuar. Pasuritë përrallore do të shndërrohen në burime të fuqishme zhvillimi dhe të ardhura për shqiptarët”, tha Berisha.
Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi gjatë fjalës së tij në Kuvendin Kombëtar të PD se nuk do të ketë asnjë palë zgjedhje në Shqipëri pa të drejtën e votës për emigrantët. Ai u shpreh se do të mbushin sheshet dhe rrugët e Tiranës për të drejtat e shqiptarëve.
“Do mbushim rrugë dhe sheshe të Tiranës për të drejtat e patjetërsueshme të shqiptarëve kudo ku janë”, deklaroi Berisha.
syri.net


