VOAL

VOAL

Ja informatori i policisë që u ekzekutua. U vra pasi sinjalizoi parcelat e drogës

Një person është gjendur i vrarë me armë zjarri në Memaliaj të Tepelenës këtë të enjte. Mësohet se viktima është Alket Muho, 43 vjeç (në foto), informatori i policisë lokale. Muho u gjet i pajetë në Gllavë të Memaliajt, në fshatin ku edhe jetonte.

Dyshimet e para lidhur me ekzekutimin e 43-vjeçarit lidhen me një sinjalizim të bërë nga ai disa ditë më parë te organet ligjzbatuese.

 

Informator i Policisë

Kohët e fundit, Muho informonte strukturat në Tiranë, pasi nuk gjente më mbështetje te policia lokale, tha burime për “Panorama”. Pikërisht, kështu ndodhi edhe në rastin e pak ditëve më parë.

Burime pranë grupit hetimor thanë për “PANORAMA” se disa më parë, ai ka informuar SHÇKB-në e Tiranës lidhur me disa parcela me hashash. Pas kësaj, SHÇKB e Tiranës, më 4 shtator, ka informuar policinë lokale për të ndërhyrë në vendin e sinjalizuar. Këta të fundit kanë ndërhyrë dhe kanë asgjësuar 8 parcela me lëndë narkotike, me rreth 4.800 bimë.

Ndërkohë, ditën e sotme, Alket Muho është gjetur i pajetë. Nga këqyrja parapake e kufomës, ekspertët e policisë kanë vlerësuar se ai është qëlluar me breshëri automatiku.

Njoftimi paraprak i policisë lidhur me ngjarjen: “Në afërsi të fshatit Rabie, Memaliaj në rrethana ende të paqarta është vrarë me armë zjarri shtetasi A.M, 43 vjeç, banues në Rabie, Memaliaj. Menjëherë pas marrjes së njoftimit në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e policisë dhe grupi hetimor të cilët po punojnë për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve”.

Parcelat me drogë

I vetmi njoftim që ka dhënë zyrtarisht policia lidhur me parcela droge të sekuestruara pranë zonës ku banonte dhe u ekzekutua 43-vjeçari është ai i kësaj të enjteje. Në njoftim, thuhet se dy persona janë proceduar penalisht për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”:

“Komisariati i Policisë Tepelenë – Më datë 06.09.2018, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për shtetasit K.C., dhe A.K., vjeç 59 e 33,  banues në fshatin Gllavë, për veprën penale parashikuar nga neni 284 i Kodit Penal”.

Muzeu Kombëtar: Një kryq, një libër e një peshqir, sendet personale të Nënë Terezës

Fatmira Nikolli  – Një libërth lutjesh me një shënim në anglisht të shenjtores, libri i homazheve në ambasadën shqiptare në Vatikan, rruzarja në një ngjyrë rozë të ëmbël, një ujëbekore e thjeshtë e gdhendur, një kryq mbajtur prej saj dhuratë nga Papa Gjon Pali. Objektet kanë qenë pjesë e fondit të Muzeut Historik Kombëtar, si Krishti i kryqëzuar, rruzarja peshqiri a mësalla, pjata, gota e ujit, luga, piruni dhe thika që ka përdorur Nënë Tereza gjatë qëndrimit në shtëpinë e Z. Tonin Shpati etj.

Me rastin e 2-vjetorit të shenjtërimit të Gonxhe Bojaxhiut – Shën Tereza, Muzeu Historik Kombëtar në bashkëpunim me Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të shqiptarëve – Shkup organizuan promovimin e librit “Familjet katolike shqiptare në Shkup” të autorëve: Skënder Asani, Albert Ramaj dhe Natasha Didenko, si edhe ekspozitën “Jeta përmes kujtimeve”.

Në promovimin e librit, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, tha se është kënaqësi përurimi i ekspozitës “Jeta përmes kujtimeve” dhe të promovimit të librit “Familjet katolike shqiptare në Shkup” të autorëve Skënder Asani, Albert Ramaj dhe Natasha Didenko. Sipas tij, nëpërmjet botimit të librit “Familjet katolike shqiptare në Shkup”, autorët e librit, duke përdorur fakte dhe burime të vërteta historike synojnë të pasqyrojnë historinë e familjeve katolike shqiptare të Shkupit, të cilat gjithnjë e më tepër po mbulohen nga pluhuri i harresës. “Historia e familjeve të shquara qytetare të Shkupit asnjëherë nuk mund të tjetërsohet, asnjëherë nuk mund të asimilohet, sepse me kalimin e viteve do të lindin pinjollë të tjerë të shquar, të cilët do ta ngrenë edhe më lart emrin e fisit”, tha Koçi. Ai vërejti se pikërisht ky është edhe misioni historik që ka ndërmarrë Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup: të kultivojë traditat e bukura të trashëgimisë sonë kulturore jo vetëm tek shqiptarët që jetojnë në Shkup, por edhe më gjerë.

 

“Muzeu Historik Kombëtar, si institucion i kujtesës kombëtare dhe përçues vlerave të trashëgimisë kulturore në rajon e më gjerë ka organizuar veprimtari të shumta për nder të Shën Terezës, duke vënë në dukje vlerat humane dhe mesazhet që ajo i ka dhënë njerëzimit. Ekspozitat që kemi organizuar çdo vit në muajin shtator janë pritur me interes të veçantë nga vizitorët vendas dhe ata të huaj. Por edhe këndi i Shën Terezës në katin e dytë të Muzeut Historik Kombëtar, me objekte dhe sende personale të shenjtores me origjinë shqiptare paraqet një interes të veçantë”, përfundoi drejtori Koçi në hapjen e ekspozitës “Jeta përmes kujtimeve”.

Promovimin e librit “Familjet katolike shqiptare në Shkup” dhe ekspozitën “Jeta përmes kujtimeve” e përshëndeti edhe drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të shqiptarëve në Shkup, Dr. Skënder Asani, i cila tha se shenjtorja Shën Tereza është personaliteti që i ka kaluar të gjitha kufijtë e vetëmohimit, duke u shërbyer të tjerëve për çka ajo mund të quhet “Nëna e dashurisë”. “E filluam këtë aktivitet në Nju Jork, pastaj në Prishtinë dhe stacioni i fundit i misionit tonë është Muzeu Historik Kombëtar, që përkon me 2-vjetorin e shenjtërimit të Saj. Si autor i librit deklaroj se me botimin kemi bërë shumë pak, Nënë Tereza nuk mund të bëhej nënë biologjike, por u bë nënë historike e gjithë botës. Ne sot mundemi që të jemi bijtë e saj. Jam tejet i gëzuar që vij në Muzeun Historik Kombëtar por edhe si drejtor, edhe si studiues, sepse Muzeu Historik Kombëtar përmbledh të gjithë trashëgiminë tonë kulturore”, tha Asani.
Ekspozita “Jeta përmes kujtimeve” flet për familjet katolike në Shkup, të cilat përmbajnë fotografi, fakte e dokumente. Në këtë ekspozitë një kënd i veçantë iu dedikua punimeve mbi figurën e Shën Terezës të nxënësve të shkollave 9-vjeçare të Tiranës, të cilët kanë marrë pjesë në projektin e Muzeut Historik Kombëtar “Vizatoj historinë”.

Opozita kërkon vetting ndaj politikës. Rama mirëpret propozimin

Opozita shqiptare kërkoi sot veting për politikanët përmes disa ndryshimeve kushtetuese, nga një mbledhje e përbashkët e grupeve parlamentare nga qyteti i Elbasanit, duke munguar në seancën plenare të parlamentit në Tiranë.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi se vendi ka nevojë për dekriminalizim të plotë përmes vettingut të politikanëve të lidhur me krimin, për çlirimin e drejtësisë nga kapja politike e qeverisë Rama, për zgjedhje të lira e të ndershme dhe për një ekonomi të çliruar nga monopolet, nga oligarkët dhe nga korrupsioni qeveritar.

Zoti Basha tha se opozita kërkon vetting për politikanët, njësoj si për gjyqtarët, prokurorët dhe policët. Kërkesa në formë projekt-ligji dhe amendamentesh në Kushtetutë pritet të dorëzohet të premten.

Vendimi ynë është t’i japim fund një elite politike të lidhur me krimin dhe të çojmë politikanët e lidhur me krimin, në rradhë të parë jashtë institucioneve, dhe pastaj para një drejtësie të reformuar dhe jo para një drejtësie të kapur” – tha zoti Basha.

Partia Demokratike pritet të depozitojë te premten në Kuvend disa amendamente kushtetuese, që mundësojnë zbatimin e vettingun edhe për politikanët dhe zyrtarët e lartë publikë.

Sipas drejtuesit të saj Basha, niveli i krimit dhe korrupsionit në Shqipëri në rradhët e zyrtarëve të lartë publikë, është në nivele alarmante, ndaj nisma për vettingun ndaj politikanëve është një mundësi jetike për çlirimin e qeverisë nga krimi.

Partia Demokratike kërkon zbatimin e vettingut dhe kontrollin e figurës edhe për politikanët dhe zyrtarët e të tjerë të lartë publikë me shpresë se ky proces dekriminalizon qeverisjen dhe politikën, lufton korrupsionin, ndalon aleancat mes politikanëve dhe grupeve kriminale, pastron rradhët e politikanëve dhe zyrtarëve të lartë nga individë të korruptuar dhe të lidhur me krimin e organizuar dhe garanton qeverisje pa ndikimin e krimit të organizuar.

Kryeministri Edi Rama mirëpriti nismën e Partisë Demokratike për të shtrirë vettingun edhe tek politikanët dhe zyrtarët e lartë.

Zoti Rama shënoi në një postim në rrjetin social Twitter: “Vetting politikanëve? Sa më parë! Me një drejtësi të pastruar përmes Vetingut, s’do ketë më as në këtë vend shteg për politikanët që t’i ikin drejtwsisë.

Ai shtoi se çdo ide për të rritur llogaridhënien ndaj politikanëve është e mirëseardhur dhe se shumica është gjithmonë gati ta diskutojë me PD.

Kryeministri Rama pati deklaruar disa kohë më parë se pas gjyqtarëve dhe prokurorëve do ta kenë radhën edhe politikanët.

Qeveria është shprehur e gatshme për bashkëpunim në nismat e opozitës për përmirësimin e jetës së vendit.

Lufta ndaj krimit e korrupsionit dhe përmbyllja me sukses e reformës në drejtësi janë kryesore të qytetarëve shqiptarë dhe të Bashkimit Europian në rrugën e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë.

1 ton kokainë CR 7, çfarë theksonte raporti i EUROPOL për bosin nga Laçi

Ishte DEA ajo që prej kohësh i kishte nën vëzhgim. Dhe kur bënë lëvizjen e madhe, autoritetet kolumbiane dhe ato spanjolle ndërhynë.

Bëhet fjalë për arrestimin e bosit laçian në Spanjë, dhe një tjetër shqiptari. 41-vjeçari Arjan Ndoci nga Laçi i arrestua nën identitetin Dritan Gradica. Veç këtij emri ai përdorte dhe disa emra të tjerë: Mondi Prenga, Mond Gjoni, Don Gjoni. Po ashtu në pranga ra dhe 35-vjeçari Julian Deblini, nga Lezha.

LEXO EDHE: Bosi laçian u kap me 1 ton kokainë në Spanjë, policia i bllokon 5 mln euro pasuri

Ishte data 30 prill kur në mediat ndërkombëtare do të jepej lajmi për suksesin e arritur nga DEA dhe EUROPOL për sekuestrimin e një sasie rekord kokaine, plot 1 ton.

Droga kalohej nga Kolumbia në Spanjë në valixhe të mëdha të zeza, nën maskimin e shërbimeve të një kompanie që merrej me transport. Hetuesit në atë kohë arritën madje të binin në gjurmët e një ngarkese lëndësh narkotike, e cila po ruhej në Madrid për t’u shpërndarë më vonë.

Pas ndërhyrjes u arrit të sekuestroheshin 790 pako, që përmbanin një ton kokainë, dhe shumën marramendëse të parave 1.5 milionë euro, që mbaheshin në një valixhe si pagesë për transportin e drogës.

Foto: Arjan Ndoci dhe Julian Deblini, dy shqiptarët e arrestuar në Spanjë më 30 Prill 2018
Foto: Arjan Ndoci dhe Julian Deblini, dy shqiptarët e arrestuar në Spanjë më 30 Prill 2018

Operacioni kulmoi në Madrid me arrestimin e dy shqiptarëve, përgjegjësi kryesor dhe njeriu i tij i besuar, si dhe dy spanjollë të skeduar në polici, të cilët ishin ngarkuar me detyrën e logjistikës, mbledhjen dhe transportimin e drogës. Në pranga ka përfunduar edhe kreu i grupit, që furnizonte lëndën narkotike në Kolumbi.

Çfarë raportonte EUROPOL
“Ky rrjet kriminal që vjen nga vendet e Evropës Lindore karakterizohet nga mënyra e tyre e punës, që njihet për besnikërinë e anëtarëve. Besnikërinë e tyre ata e menaxhojnë duke kontrolluar familjet e tyre në Shqipëri përmes pagesave ndaj tyre, por edhe duke i marrë peng, dhe në këtë mënyrë ata zgjerojnë lidhjet e tyre dhe shtrijnë tentakulat në të gjithë Evropën. Personat që i përkasin rrethit të besimit të kësaj organizate, hyjnë vetëm duke dhënë prova për besnikërinë e tyre tek eprorët përgjatë disa viteve”

Opozita del me vendim të fortë nga Elbasani: Vetting për të gjithë politikanët

Mbledhja e opozitës së bashkuar në Elbasan, shërbeu dhe për të prezantuar platformën që PD dhe aleatët do të miratojnë për të vijuar më tej aksionin e tyre.

Kreu i PD, Lulzim Basha, deklaroi se  platforma do jetë me 4 pika dhe së shpejti do të jetë publike.

 

Pjesë nga deklarata

Opozita e Bashkuar sipas vendimit të marrë në Shkodër, po përpunon platformën e saj e cila do të nisë të bëhet publike menjëherë.

Vendimi ynë ka qene dhe është të merremi me njerëzit. Ai është me krimin, ne jemi me njerëzit!

Vendimi ynë është ti japim fund një elite politike të lidhur me krimin dhe të çojmë politikanët e lidhur me krimin, në radhë të parë jashtë institucioneve, dhe pastaj para një drejtësie të reformuar dhe jo para një drejtësie të kapur.

Në këtë mënyrë u kthejmë qytetarëve, mundësinë për të vendosur për fatin e tyre, mundësinë e zgjedhjeve të lira e të ndershme duke ju ofruar një platformë dhe një plan pune që çliron ekonominë nga oligarkët, nga monopolet, nga tenderat korruptivë, nga lejet abuzive. Nga shtypja e të drejtit, e të voglit, të zakonshmit dhe favorizimi I të mëdhenjve që nuk ngopen kurrë nga privilegjet, zhvatja dhe grabitja që bëjnë duke nisur nga paradhoma e Edi Ramës.

1 – Dekriminalizimi i plotë përmes vettingut të politikanëve të lidhur me krimin.

2 – Çlirimi i drejtësisë nga kapja politike në funksion të bashkëqeverisjes së Edi Ramës me krimin

3 – Zgjedhje të lira të ndershme, demokratike ku qytetarët të jenë ata që vendosin

4 – Një ekonomi e çliruar nga monopolet, nga oligarkët dhe nga korrupsioni qeveritar, në funksion të mirëqenies së qytetarëve

Këto janë katër objektivat kryesore të platformës tone, objekt i diskutimit të gjerë në këtë mbledhje.

Nisma kushtetuese për Vettingun në politikë

Partia Demokratike do të depozitojë në Kuvend disa amendamente kushtetuese që mundësojnë zbatimin e procesit të vettingut edhe për politikanët dhe zyrtarët e lartë publikë.

Niveli i krimit dhe korrupsionit në Shqipëri në radhët e zyrtarëve të lartë publikë, është në nivele alarmante. Procesi i vettingut, përfshirë vlerësimin e lidhjeve me krimin e organizuar, zbatohet sot vetëm për gjyqtarët, prokurorët dhe punonjësit e policisë.

Partia Demokratike beson se zbatimi i vettingut dhe masa e kontrollit të figurës edhe për politikanët dhe zyrtarët e të tjerë të lartë publikë:

  • dekriminalizon plotësisht qeverisjes dhe politikën
  • lufton me tolerancë zero korrupsionin dhe krimin
  • ndalon aleancat mes politikanëve dhe grupeve kriminale
  • pastron nga radhët e politikanëve dhe zyrtarëve të lartë individë të korruptuar dhe të lidhur me krimin e organizuar.
  • garanton qeverisje pa ndikimin e krimit të organizuar

Shqipëri: Mbi 45 gazetarë kanë kërkuar azil ose nënshtetësi të shteteve të tjera

Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë bëri sot të ditur se mbi 45 gazetarë nga media të ndryshme kanë kërkuar azil ose nënshtetësi të shteteve të tjera në përpjekje për tu larguar nga vendi prej kërcënimeve që marrin gjatë ushtrimit të detyrës.

Drejtuesi i Unioni të Gazetarëve Shqiptarë, Aleksandër Çipa thotë se në periudhën 2017-18 janë shtuar më tej gazetarët e kërcënuar në detyrë, që kërkuan azil në vendet e BE-së dhe SHBA për shkak të rreziqeve të punës, dhe shumë të tjerë kërkuar shtetësi në vende të tjera.

“12 gazetarë kanë kërkuar azil në vendet e BE-së dhe SHBA për shkak të rreziqeve të punës, ndërsa 34 të tjerë kanë kërkuar shtetësi në vende të tjera. Pothuajse të gjithë këta kanë plotësuar dosjet me prova dhe dokumenta për kërcënime në detyrë dhe po përgatiten të largohen” – tha zoti Çipa.

Vetëm dy ditë pas sulmit me armë zjarri ndaj gazetares së njohur të kronikës së krimit, Klodiana Lala, një tjetër reporter vendor u kërcënua në Lac, ngjarje për të cilat shprehu shqetësimin e tij edhe Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Ruajtjen e të Dhënave Personale Besnik Dervishi.

“Solidarizohem me të dy gazetarët e kërcënuar së fundi dhe me të gjithë gazetarët që dhunohen apo kërcënohen për shkak të detyrës dhe misionit të tyre. Sidomos zonjën Lala kam patur rastin ta njoh dhe vlerësoj kurajon e saj në punën e vështirë të gazetares. Të gjithë duhet të bëjmë përpjekje që këto ngjarje të shmangen e të mos ndodhin” – tha zoti Dervishi.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë protestoi disa herë për breshërinë e plumbave të hedhura mbi banesën e familjes së gazetares Klodiana Lala.

Zoti Çipa thotë se edhe kjo ngjarje e rëndë për jetën e gazetares dhe familjes së saj rrezikon të mbetet pa zbardhur ashtu si shumë kërcënime të kolegëve të tjerë.

Persona të panjohur sulmuan me armë zjarri në breshëri banesën e prindërve të gazetares së televizionit “News 24”, Klodiana Lala më 30 gusht në periferi të kryeqytetit. Gazetarja Lala tha se dyshonte se sulmi lidhej me punën si gazetare.

Klodiana Lala është një ndër gazetaret më të njohura me përvojë shumëvjecare në mbulimin e kronikës së krimit.

Për sulmin me armë ndaj banesës së prindërve, ku gjendeshin vëllai dhe fëmijët e saj, reaguan me forcë autoritetet politike e shtetërore të vendit si dhe shoqatat e gazetarëve.

Pas kësaj shumë gazetarë shkruan në rrjetet sociale se edhe atyre u kanë ndodhur shumë kërcënime për shkak të detyrës, ndaj edhe jo pak prej tyre po largohen nga vendi.

Basha mesazhe të forta nga Shkodra: T’i përgjigjemi thirrjes për aksion radikal politik

SHKODER- Nga Shkodra kryetari i PD-së Lulzim Basha ka dhënë sërish një mesazh të qartë për qytetarët, ndërsa nuk ka nguruar që të sulmojë qeverinë ‘Rama’. Në një takim me kryesinë e degës së Shkodrës Basha iu kërkoi përfaqësuesve të PD që të përdorin avantazhin kryesor të opozitës për të mobilizuar njerëzit. Lideri i demokratëve ftoi qytetarët që t’i përgjigjen thirrjes për aksion radikal politik.

“Ajo që ka rëndësi, është shkalla e mobilizimit me të cilën ne si PD, në nivelin e lagjeve, blloqeve, shtëpive e fshatrave, do të mund t’i përgjigjemi thirrjes për një aksion radikal politik, që të ketë synim largimin e këtij kryeministri dhe të kësaj qeverie. Që nga ky moment, që kur të ndahemi prej këtij takimi, puna duhet të nisë derë me derë me njerëzit. Sot rrugë tjetër përveç përballjes nuk ka.”- tha Basha.

Mes të tjerash ai theksoi se zgjedhjet e ardhshme parlamentare janë objektivi final i aksionit dhe i platformës, që opozita do të bëjë publike në ditët dhe javët e ardhshme.

“Prandaj ka shumë rëndësi që procesi i organizimit të brendshëm, të evidentojë më të mirët brenda partisë, të evidentojë më të mirët në raport me zgjedhjet e ardhshme lokale dhe, me gjasa zgjedhjet e ardhshme parlamentare, që janë objektivi final i aksionit dhe i platformës, që opozita do të bëjë publike në ditët dhe javët e ardhshme.”- tha Basha

Shkodër: Mbledhje e jashtëzakonshme e opozitës për të denoncuar krimin

Ashtu siç kishte paralajmëruar, opozita e bashkuar nuk mori sot pjesë në nisjen e sesionit të ri parlamentar, por u mblodh në qytetin e Shkodrës në atë që ajo e quajti si seancë të jashtëzakonshme për të dërguar një mesazh qëndrese ndaj krimit që ka goditur Shkodrën.

Në fjalën e tij kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha se Shkodra po përjeton situatën më të rëndë kriminale të 27 viteve demokraci dhe se në më pak se tre muaj kanë ndodhur 6 vrasje mafioze dhe janë rrëmbyer dy persona.

Kryetari Basha akuzoi kryeministrin Rama për bashkëpunim me bandat dhe se nuk e ka kontrollin në Shkodër, Durrës, Elbasan, Vlorë, Fier e Shijak ku, siç u shpreh ai, kontrollin e kanë bandat e jo shteti.

“Vendi ynë nuk mund të jetë një fole krimi, siç është sot godina e parlamentit. Vendi është pranë njerëzve e qytetarëve e sidomos kur ata janë të dhunuar e të frikësuar. Mbështetje totale për Shkodrën e qytetarët. Shprehim vendosmëri totale, të vëmë në lëvizje instrumentet e një shteti të ndarë nga krimi për të çmontuar organizatat mafioze. Situata nuk ka qenë kurrë më kritike se sot; nga njëra anë precipitimi i rendit publik dhe nga ana tjetër kapja e mediave për t’iu shitur shqiptarëve të vërteta të rreme”, deklaroi Basha.

Kryetari i PD u shpreh se prioritet për opozitën është lufta kundër krimit. “Asnjë reformë, ligj, akt nuk ka asnjë domethënie pa çliruar qeverisjen nga krimi, pa rikthyer rendin dhe sigurinë”, tha kreu i PD.

Kryetari Basha foli për një platformë të përbashkët të opozitës për t’iu përgjigjur situatës se krimit në vend, sepse PD nuk ka e s’mund të ketë axhendë tjetër përveç shtypjes e çmontimit të krimit. Detyra jonë, tha ai, është të gjejmë rrugët, aksionin dhe platformën politike për t’i dhënë fund kësaj gjendje dhe për t’i dhënë vendin siguri, rend dhe demokraci.

Ndërkohë që opozita ishte mbledhur në Shkodër, Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, u shpreh në seancën e parë parlamentare sesulmi i opozitës është agresiv dhe i qëllimshëm për të nxirë imazhin e policisë dhe të vendit.

Lidhur me ngjarjet e rënda të ndodhur së fundmi në vend, duke iu referuar edhe vrasjeve në Shkodër, ministri i brendshëm u shpreh se policia po bën punën maksimale për zbardhjen e dinamikës dhe kapjen e autorëve.

Ministri Xhafaj tha se “në këto muaj kemi bërë një skanim të qartë dhe të hollë të grupeve kriminale që nuk u krijuan sot, por kanë vite. Kemi goditur një pjesë të këtyre grupeve”, tha ministri Xhafaj duke premtuar goditje e tyre gjate muajve shtator-tetor.

Bastiset katedralja në Korçë, merret arka me para

Katedralja në qendër të qytetit të Korçës ka rënë pre e hajdutëve gjatë natës. Nga sa mësohet, persona të paidentifikuar kanë hapur derën e jashtme të kishës dhe janë futur brenda, duke marrë paratë e arkës.

Gjithashtu, autorët gjithashtu kanë dëmtuar edhe sendet e tjera të katedrales, dhe kanë marrë rreth 200 mijë lekë të vjetra.

 

Ky nuk është rasti i parë kur Katedralja e qytetit juglindor bie pre e grabitjeve apo edhe e zjarrvënies.

Shkodër, rëndohet situata e krimit

Vrasja e një biznesmeni pasditen e të shtunës në qytetin e Shkodrës, ka ngritur shqetësimin mbi situatën e krimit në këtë qytet, më i madhi në veri të Shqipërisë.

31 vjeçari Arjan Feracaku u qëllua me breshëri automatiku në periferi të qytetit ndërsa po kaloronte bashkë me disa të afërm të tij. Në lidhje me këtë vrasje policia ka shoqëruar për t’i pyetur rreth 30 persona, por deri tani nuk ka dhënë detaje rreth vrasjes dhe autorëve. Dyshimet e para lidhen me përplasjet mes grupeve kriminale në këtë qytet, apo ndonjë gjobëvënie nga këto grupe.

Vrasja e biznesmenit 31 vjeçar e ka çuar në 6 numrin e përsonave të vrarë brenda tre muajve të fundit. Gjithashtu, dy persona të tjerë rezultojnë të zhdukur pa asnjë gjurmë prej 10 ditësh. Për asnjërën nga këto ngjarje të rënda kriminale, policia nuk ka arritur të identifikojë dhe as të arrestojë autorët, çka ka tronditur sigurinë e qytetarëve dhe bizneseve në Shkodër.

Në mesin e muajit korrik qyteti i Shkodrës u trondit nga një vrasje e dyfishtë, ajo e ish policit Boran Bërçana dhe gruas me të cilën ai bashkëjetonte. Megjithëse në makinën ku ata u ekzekutuan ndodhej edhe djali 2 vjeçar, mbi ta u derdhën 23 plumba të një arme MP5. Skena e krimit, e filmuar nga kamera e një ndërtese, dëshmon për një vrasës profesionist, i cili ende nuk është identifikuar nga policia.

Mes 6 të vrarëve muaj e fundit në Shkodër është edhe 53-vjeçari Fatbardh Lici, një përson i njohur në qytet, i cili u ekzekutua me 10 gusht, në një lokal në afërsi të banesës së tij në lagjen Kiras të qytetit. Vëllai i tij, Mustafa Lici, nga shtëpia ku po qëndron i ngujuar prej tre javësh, akuzoi sot qeverinë dhe policinë, për lidhje me grupet kriminale.

Seriali i vrasjeve në qytetin verior u paralajmërua në janar të këtij vitit pas një atentati të dështuar me lëndë shpërthyese ndaj biznesmenit Lulzim Kulla, një figurë e njohur e botës së krimit në Shkodër. Lënda shpërthyese, e vendosur në një motoçikletë, në afërsi të makinës së tij, plagosi rëndë biznesmenin Kulla, i cili i mbijetoi plagëve.

Pas këtij atentati, Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, duke folur për operacionin “Forca e Ligjit”, deklaroi se në Shkodër janë identifikuar tre grupe kriminale, njëri prej të cilëve i goditur nga policia për ushtrim të prostitucionit. Por, që nga ajo kohë, as policia dhe as Ministria e Brendshme nuk kanë identifikuar në publik dy grupet e tjera kriminale dhe as kanë arritur t’i godasin ato.

Opozita e ka drejtuar gishtin nga qeveria, si fajtore për gjendjen dhe për lidhje me grupet kriminale në Shkodër. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, një ditë para vrasjes së biznesmenit Feracaku, gjatë një konference për shtyp, u shpreh se Shkodra ndodhet nën pushtetin e krimit, për shkak të një pakti të ndërsjelltë të qeverisë me familjet mafioze për zgjedhjet e ardhshme vendore në këtë qytet që qeveriset prej vitesh nga demokratët. za

E dashur Klodiana, atentatorët nuk kanë hequr dorë – Nga Edmond Tupja

E dashur Klodiana, së pari, lejomë t’ju drejtohem kështu, thjesht fare, drejtpërdrejt, duke u përpjekur të arsyetoj edhe racionalisht, pra, me logjikë të ftohtë, edhe – përse jo? – emocionalisht, pra, me zemër, sepse, siç pohonte filozofi Paskal në Francën e shekullit XVII, “Zemra ka arsyet e veta që arsyeja nuk i njeh”.

I neveritshëm e njëherazi i përbindshëm ai atentat që ata, të paemërtit e të pranishmit e nëndheshëm nën urdhrat e një kupole të kudondodhur në Shqipërinë tonë të çoroditur, tashmë të transformuar në një demokrature të frikshme, – kryen para tri ditësh kundër një pjese të së ardhmes shqiptare, pra, kundër fëmijëve tuaj, si edhe kundër prindërve tuaj pjesë e së tashmes shqiptare, që ju kanë edukuar, ndër të tjera, me frymën e ndershmërisë, e drejtësisë, e guximit dhe të dashurisë për profesionin.

Mirëpo, njëkohësisht, bëhej e bëhet fjalë për një atentat kundër gazetarëve në përgjithësi e kundër gazetarëve investigues në veçanti, që dinë të shmangin kurthet e ëmbla të gënjeshtrave për të zhbiruar të vërtetat e hidhura të dramës ngjethëse që po përjeton këto vitet e fundit Shqipëria jonë e mjerë. Nga ana tjetër, ky është një atentat kundër gruas shqiptare, që vazhdon të jetë në shënjestër të një dhune të paparë e të pafalshme, vetëm e vetëm se ajo – qoftë gazetare, qoftë gjykatëse, qoftë punëtore apo fermere – kërkon të jetë e barabartë me burrat e të marrë pjesë gjallërisht, duke thënë fjalën e saj në të gjitha fushat e jetës.

Sigurisht, është e qartë se atentati kundër të afërmve tuaj më të shtrenjtë shpalos paturpësisht tiparet e një atentati të tipit tejet mafioz ngaqë ishte i pabesë: i pabesë, sepse u krye ndaj të gdhirë, i pabesë sepse futi në rrezen e tij vdekjeprurëse fëmijë të pambrojtur (si vajzat e tuaja të mitura) dhe njerëz të moshuar (si prindërit tuaj të tronditur) po aq të pambrojtur, dy kategori këto që kanë veçanërisht nevojë për siguri, dhembshuri e përkujdesje të pareshtur.

Gjithashtu, e dashur Klodiana, kini parasysh një gjë: mos pandehni se atentatorët kanë hequr ose do të heqin dorë nga qëllimet e tyre vrastare: Pa dashur të luaj rolin e Kasandrës së Homerit, dua t’ju them se, me shumë gjasë, ju do të bëheni sërish objekt sulmesh përherë e më të frikshme! Qëndroni, pra, vigjilente, ndërkohë që – dhe për këtë jam i bindur – do të vazhdoni deri në fund e pa u tutur punën tuaj si gazetare investiguese, sepse e tillë jeni gatuar: me brumin e ndershmërisë dhe të kurajës së patundur. Të panumërt janë ato dhe ata që ju admirojnë për punën tuaj në shërbim të së vërtetës, por mjaft gazetarë e publicistë ju vlerësojnë edhe profesionalisht për mënyrën se si niseni nga fakti, se si i zgjidhni e i renditni argumentet për ta çuar bindshëm lexuesin ose teleshikuesin drejt përfundimesh të mençura, por të paraqitura me një modesti të sinqertë ku natyrshëm gjejnë vend edhe hamendësimet e nevojshme, të cilat jo rrallëherë janë aq të domosdoshme për t’u futur në labirintin e errët të krimit e për të rindërtuar puzzle-in e nxjerrjes në dritë të autorëve të tij.

Së fundi, lejomëni t’ju kujtoj batutën e famshme të filozofit Volter, i cili në Francën e më shumë se dy shekujve më parë, thoshte: “O Zot, mbromëni nga miqtë, se nga armiqtë mbrohem vetë!”. Përse po jua kujtoj? Thjesht sepse jetojmë në një kohë kur është rritur numri i atyre që pasi vrasin dikë natën, shkojnë dhe e qajnë ditën! Kriminelët e tipit narkoligarkomafioz janë aktorë të përkryer sidomos kur, njëkohësisht, kanë kapur disa hallka të rëndësishme të pushtetit qendror e vendor. Ruhuni, pra, prej atyre që shtiren sikur ju duan të mirën, ju jeni aq psikologe sa ta zbërtheni, qoftë edhe nëpërmjet vështrimit, se ç’bluan dikush që ju premton në mënyrë bombastike ose patetike mbrojtje e siguri juve, familjes dhe prindërve tuaj.

E dashur Klodiana,

Nuk do t’ju marr më nga koha juaj që është shumë më e çmuar se e imja. Besomëni, ju lutem, në solidaritetin tim intelektual dhe mos e reshtni kurrë e kurrsesi luftën tuaj, luftën e të gjithë gazetarëve, luftën tonë të përbashkët për ngadhënjimin e së vërtetës.

FOTOT – AKU bllokon 33 tonë ushqime të skaduara në Shkozë, mbyllet biznesi

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, ka bllokuar sot 33 tonë produkte të skaduara. Në një  postim në faqen zyrtare në Facebook, AKU njofton se bllokimi i është bërë një subjekti.

“Konkretisht, në magazinën e parë me adresë në Shkozë u konstatuan kushte higjeno-sanitare të papërshtatshëm si dhe 24 tonë produkte me afat përdorimi të kaluar të cilat ruheshin në të njëjtin ambient me produktet e rregullta”, shkruhet ndër të tjera në njoftim.

 

Njoftimi i plotë

AKU BLLOKON 33 TON PRODUKTE TË SKADUARA

Në kuadër të kontrolleve për produkte të skaduara, AKU ka evidentuar një subjekt i cili do të shpërndante në treg 33 tonë produkte me afat të kaluar.

Gjatë kontrollit të ushtruar nga trupa inspektuese e AKU-së, rezultoi se subjekti “IN FOOD” shpk kishte 2 ambiente(magazina) në Shkozë dhe Rinas ku ruante produktet me qëllim shpërndarjen në treg.

Konkretisht, në magazinën e parë me adresë në Shkozë u konstatuan kushte higjeno-sanitare të papërshtatshëm si dhe 24 ton produkte me afat përdorimi të kaluar të cilat ruheshin në të njëjtin ambient me produktet e rregullta.

Për më tepër në produktet (makarona) të cilat ishin brenda afatit të përdorimit u gjendën prani të insekteve gjë që sjell rrezikshmëri të sigurisë ushqimore

1. çokokrem 400 gr X 11313 copë/ sasi 4525 kg
2. cokokrem 800 gr X 9839 copë/sasi 7871 kg
3. makarona 500 gr X 10203 copë/sasi 5101 kg
4. lëng frutash 0.2 l X 25289 copë/sasi 5077 kg
5. konfleks 250 gr X 5700 copë/sasi 1435 kg

Ndërsa në magazinën që posedonin në Rinas, u konstatuan 8.8 ton produkte të skaduara.

1. Peshk Ton e Markës Perios 1200gr x6858 copë/sasi 8,229 kg
2. Biskota Hop Te Embla 1200gr x298copë/sasi 357 kg
3. Biskota Hop Te Kripura 1200gr x213 copë/sasi 255kg

Veç të tjerash subjekti “IN FOOD” shpk nuk ka përmbushur detyrimin ligjor sipas nenit 24/1 të ligjit të ushqimit, ku duhej të njoftonte menjëherë AKU-në që këto produkte kishin kaluar afatin e përdorimit.
Për sa më sipër ndaj subjektit është marrë masë administrative gjobë 1.000.000 lekë, bllokim të produkteve me destinacion asgjësim si dhe mbyllje të menjëhershme të aktivitetit.

Ndërkohë AKU do të vijojë verifikimet e mëtejshme duke kërkuar bashkëpunim edhe me instancat e drejtësisë për një kontroll më të detajuar ndaj këtij rasti.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore, i bën sërish thirrje edhe operatorëve të biznesit ushqimor që të jenë të kujdesshëm në blerjen e lëndëve të para – produkte shtazore dhe jo shtazore duke kërkuar e marrë nga furnitorët vetëm produkte me etiketë dhe të shoqëruara dokumentacion të plotë veterinar e fiskal – pasi është një detyrim ligjor i tyre përveçse përbën një masë tepër të rëndësishme për sigurinë ushqimore të klientëve të tyre.

Gjithashtu inkurajon të gjithë qytetarët të denoncojnë çdo rast, çdo tentativë abuzimi, pranë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në [email protected] si dhe pranë portalit të bashkëqeverisjes “Shqipëria që duam” Siguria Ushqimore është një sfidë e përbashkët.

Basha: Rikonfigurimi i kufijve m’u paraqit nga Serbia më 2010, zhbën investimet e Perëndimit prej tri dekadash

Kryedemokrati Basha ka dhene qëndrimin e tij për debatin e ditëve të fundit për rishikimin e territoreve me Kosovën.

 

Kreu i PD u shpreh kundër rishikimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, duke kujtuar se paketa Ahtisari përcakton qartë integritetin territorial, formën unitare të qeverisjes dhe i bashkëngjit asaj vullnetin e shprehur të popullit të Kosovës, përmes përfaqësuesve legjitimë të popullit të Kosovës, Parlamentit të Kosovës, për një Kosovë anëtare të BE-së dhe NATO-s.

Deklarata e Bashes per kufijte 

Për këtë çështje qëndrimi im është bërë publik në takimet që kam patur së fundmi me Presidenten e Kroacisë por edhe në takimet e tjera që kam patur në nivelet e larta në Berlin, Uashington dhe me përfaqësuesit më të lartë të diplomacisë Britanike: Sovraniteti i Kosovës është në duart e popullit të Kosovës. Ky sovranitet bazohet në Paketën Ahtisari që është kompromisi historik i Kosovës për të arritur pavarësinë e njohur sot nga 117 vende, nga të cilat 111 vende anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Nga 193 vende që ka OKB, 111 njohin Pavarësinë e Kosovës, shtetin e Kosovës me kufijtë përkatës.

PD mbështet dialogun për të çuar drejt normalizimit të marrëdhënieve, njohjes reciproke Prishtinë- Beograd, si një parakusht për ecjen përpara të të dy vendeve drejt anëtarësimit të plotë në BE, në rastin e Kosovës, edhe në anëtarësimit të saj në NATO.

Paketa Ahtisari nuk lë asnjë vend për mëdyshje. Ajo përcakton qartë integritetin territorial, formën unitare të qeverisjes, dhe i bashkëngjit asaj vullnetin e shprehur të popullit të Kosovës, përmes përfaqësuesve legjitim të popullit të Kosovës, Parlamentit të Kosovës, për një Kosovë anëtare të BE dhe NATO.

Paketa Ahtisari është themel i paqes dhe stabilitetit në rajon, ajo përbën së bashku me marrëveshjen e Ohrit dhe Dejtonit, themelet mbi të cilat është ndërtuar një Ballkan në paqe – sepse në paqe ka qenë këto 17 vite, pavarësisht se gangsterët e Ballkanit pretendojnë se e sollën ata paqen.

Por duhet të rrisim bashkëpunimin rajonal dhe të kryejmë reformat që na fusin në BE. Në momentin kur jemi në BE, kufijtë nuk kanë më asnjë lloj kuptimi. Ç’kuptim ka kufiri Franko-Gjerman. Çdokush që ka patur mundësinë të udhëtojë nga Franca në Gjermani, apo anasjelltas e di se mallrat, njerëzit, kapitali, kalojnë pa asnjë farë vështirësie. BE këtë ka vlerë, që i zeron kufijtë dhe i njëhson rregullat, ligjet, të drejtat e qytetarëve, pavarësisht nëse jeton në Lisbonë apo Bratisllavë, në Helsinki apo në Nikosia. Ky është rezultati final i anëtarësimit të vendeve të rajonit në BE.

Rendja pas ndryshimeve kufitare zbulon një tjetër përqasje. Ashtu siç kam ndarë me përfaqësuesit më të lartë europianë dhe amerikanë, por edhe kosovarë dhe serbë, jo vetëm këto gjashtë muaj, por prej tetorit 2010 kur m’u paraqit për herë të parë nga drejtues serbë koncepti i rikonfigurimit të kufijve të Ballkanit: kjo në thelb është një strategji anti-BE dhe anti-NATO.

Shpreh bindjen e thellë se BE dhe SHBA si aksionerët kryesorë të paqes në Ballkan dhe mbështetësit kryesorë të orientimit Euroatlantik dhe Europian të Ballkanit nuk do të lejojnë të zhbëhet investimi i tyre prej tre dekadash: Miliarda dollarë dhe euro dhe qindra mijëra bija e bij të Perëndimit që kanë shërbyer me apo pa uniformë në këto tre dekada.

Sfida për të gjithë vendet e Ballkanit është të realizojnë reformat e nevojshme për t’u anëtarësuar sa më shpejt në BE dhe NATO, për të hedhur hapat e nevojshëm që të reduktojnë në maksimum domethënien e kufijve.

Mbi një platformë të tillë kam punuar si Ministër i Brendshëm, kam arritur edhe dakordësi parimore me përfaqësuesit relevantë të qeverisë serbe dhe të vendeve të tjera të rajonit, për një marrëveshje shengeni ballkanik, me qëllim që njerëzit të udhëtojnë pa kontrolle kufitare.

Ne do të mbështesim çdo përpjekje të popullit të Kosovës dhe përfaqësuesve të popullit të Kosovës për të avancuar procesin e dialogut por duke qëndruar fuqimisht në parimet e sovranitetit, integritetit territorial dhe natyrës unitare të qeverisjes së Republikë së Kosovës.

Shpallja e Monarkisë domosdoshmëri kombëtare dhe e ligjshme – Nga EKREM SPAHIU

 

Pikërisht me 1 shtator 1928, ora 09:12, Asambleja Kushtetuese në mbledhjen e saj të katërt me vota unanime miratoi ndryshimet e Statutit, ku dy më kryesoret ishin: “Shqipëria është Mbretëri demokratike, parlamentare dhe e trashëgueshme” dhe “Mbret i Shqiptarëve është Nalt Madhëria e Tij – Zog I”.

Kalimi i Shqipërisë në sistemin monarkik të formës së regjimit, ishte, në fakt, kalim në një sistem më afër tradicionales dhe më të pranueshëm për shqiptarët, se sa sistemi republikan. Mbretërinë e instaloi i njëjti personalitet, i cili tre-katër vite më parë kishte instaluar Republikën dhe ishte shpallur President i kësaj Republike. Ky akt është pritur dhe vlerësuar me kundërthënie nga më të ndryshmet. Vlerësimi më radikal ka qenë se monarkia e instaluar nga Ahmet Zogu nuk ka qenë e ligjshme dhe ishte thjesht shprehje e ambicieve personale të Ahmet Zogut.

Një vlerësim tjetër është se instalimi i mbretërisë nuk ka qenë i ligjshëm, por një akt politik i domosdoshëm për stabilitetin dhe sigurinë kombëtare të Shqipërisë. Një vlerësim i tretë është se instalimi i mbretërisë ka qenë domosdoshmëri kombëtare dhe është bërë në mënyrë krejtësisht të ligjshme.

Nga pikëpamja juridike, të tria vlerësimet meritojnë vëmendje, për më tepër që mbretëria, si sistem politik e ka në rrënjë mbretërinë e ligjit si sistem juridik. Atëherë, le të ndalemi tek disa aspekte të instalimit të mbretërisë në Shqipëri.

Sikurse e thamë, i njëjti personalitet që drejtoi vendin për rreth katër vjet në cilësinë e Presidentit dhe Kryeministrit, po ai u shpall edhe Mbret i Shqiptarëve. Nëse kjo do të ishte çështje vullneti apo ambiciesh politike, atëherë çfarë apo kush mund ta ndalte Ahmet Zogun që ta instalonte Mbretërinë qysh më 1924, ku u rikthye në pushtet? Autoritetin e kishte. Vlerat drejtuese i kishte shprehur edhe më parë, madje në një post mjaft delikat si ai i Ministrit të Brendshëm. Kundërshtarët politikë të udhëhequr nga Fan Noli, që erdhën në pushtet në rrugë jolegjitime nuk gëzuan asnjë njohje ndërkombëtare dhe u larguan pas gjashtë muajve nga pushteti (24 dhjetor 1924). Shqipëria nuk kishte një traditë politike dhe në këto kushte mund të bëje si të doje. Atëherë, përse nuk e bëri Ahmet Zogu qysh në fillim këtë akt të shpalljes së Mbretërisë? Për hipokrizi?

E vërteta është krejt ndryshe. Ahmet Zogu u tregua shumë i kujdesshëm në hapat e tij për ta ndryshuar formën e regjimit në Shqipëri nga Republikë në Monarki, duke punuar në disa drejtime dhe për të qenë në harmoni me procesin politik, opinionin publik shqiptar, bindjen dhe mbështetjen e marrë nga faktori ndërkombëtar e në veçanti nga Fuqitë e Mëdha, dhe mbi të gjitha me nismat dhe respektimin e procedurave kushtetuese e ligjore.

Ahmet Zogu nuk mund të bënte një hap politik që do të ishte në kundërshtim me të drejtat e trashëgimisë. Sikurse është e njohur, në Konferencën e Ambasadorëve 29 korrik 1913, midis të tjerash, ishte vendosur qysh në pikën 1 të Deklaratës se: “Shqipëria konstituohet si një principatë autonome, sovrane dhe e trashëgueshme sipas rrjedhës së paraardhësve të një gjaku, nën garancitë e gjashtë Fuqive të Mëdha. Princi do të caktohet nga gjashtë Fuqitë e Mëdha”. Po ashtu, dimë se menjëherë pas Konferencës së Ambasadorëve, u caktua edhe trashëgimtari që do të ushtronte këtë funksion, princi me origjinë gjermane Vilhelm Vid, i cili nuk mundi të qëndrojë më shumë se sa rreth 6 muaj (7 mars-3 shtator 1914) për të ushtruar pushtetin princëror të tij.

Princi Vilhelm Vid, edhe pse i larguar, asnjëherë nuk pati shpallur abdikimin për të liruar rrugën, qoftë për mbret apo princ pasardhës, qoftë edhe për të hapur rrugën ndryshimit të regjimit. Në këto kushte, më 1924, Ahmet Zogu nuk mund të shpallte vijimin e rrjedhës mbretërore/princërore, sepse kjo i takonte vetëm Princit Vilhelm Vid. Atëherë, Ahmet Zogu zgjodhi rrugën e dytë: shpalljen e Shqipërisë Republikë dhe të vetes së tij President dhe Kryeministër.

Por e pashpjeguar mirë në historiografinë e Shqipërisë deri tani, është se përse Ahmet Zogu nuk u shpreh ekskluzivisht dhe paralelisht se “Nuk njeh mbretërinë”, kur ai e shpalli Shqipërinë “Republikë” dhe veten “President dhe Kryeministër”? Mendoj se pikërisht këtu qëndron çelësi i shpjegimit dhe jo sikurse e shpjegojnë një kategori historianësh, të cilët shprehen se me shpalljen e Shqipërisë Republikë dhe të Ahmet Zogut si President të saj, u suprimua plotësisht forma monarkike e qeverisjes në Shqipëri.

Ahmet Zogu, në vitin 1925, kur erdhi në krye të Republikës si President, shpalli një lloj regjimi që të ishte i pranueshëm dhe në dobi të popullit e shtetit shqiptar, një regjim të tillë që do të vendoste në rrugë institucionale, funksionimin e gjithë shoqërisë dhe të politikës shqiptare, të cilat prej 13 vjetësh nga shpallja e pavarësisë, kishin qenë në kaos të plotë. Ndërkohë, me këtë akt, Ahmet Zogu nuk shpalli mosnjohjen e mbretërisë. Përkundrazi, ai la hapur mundësinë e vijimësisë mbretërore.

Sapo Zogu e forcoi shtetin në masën e mjaftueshme për të qenë i aftë të marrë dhe të administrojë pushtetet e veta, atëherë ai shkoi përsëri në origjinën politike të njohur apo të deklaruar edhe nga Fuqitë e Mëdha: mbretërinë e trashëgueshme. Për të kaluar këtë “prag politik”, mbetej vetëm një pengesë: Princi Vilhelm Vid ishte gjallë dhe ai ende nuk qe shprehur nëse vijonte të pretendonte fronin mbretëror apo abdikonte prej këtij froni, duke ia lënë dikujt tjetër mundësinë ta trashëgojë. Në këtë kuadër, shumë historiografë e kanë deformuar apo nuk e kanë lexuar si duhet referimin për deklaratën e Princ Vidit të datës 24 gusht 1928, të cilën po e citojmë me korrektesë siç është sjellë nga autori i paanshëm Ouen Pearson, në librin e tij “Shqipëria dhe Mbreti Zog” (faqe 292-293), “Ish Mbreti Vilhelm, Princi Vidi, i cili kurrë nuk kishte abdikuar, lëshoi një deklaratë me të cilën shpallte se ai i pretendonte për veten dhe për trashëgimtarët e tij të gjitha të drejtat për fronin e Shqipërisë, me gjithë aspiratat e Ahmet Zogut për të qenë mbret. Ai i qëndronte mendimit, besimit, se shumica e shqiptarëve e mbështesnin akoma atë, por ai ndjente se kthimi i tij i menjëhershëm nuk mund të diskutohej, përderisa nuk ishte e mundur të zhvillohej një referendum i lirë dhe i pandikuar në atë kohë. Ai deklaroi se ai ishte i lirë nga ambiciet e tij personale dhe se kurrë nuk kishte ndërmend të provokonte mospajtime midis shqiptarëve, pasi bashkimi, përparimi dhe prosperiteti i të cilëve kishte qenë dhe ishte akoma synimi i vetëm i tij. Kështu ai do të shmangte vështirësitë politike të brendshme dhe të jashtme, duke pritur momentin e përshtatshëm për t’u kthyer në Shqipëri, e cila do të parakuptonte domosdoshmërisht një dëshirë unanime të popullit”.

Deklarata është bërë, sikurse e thamë më lart, në datën 24 gusht 1928. Ndërkohë, dihet që Asambleja Kushtetuese e shpalli Shqipërinë – Mbretëri në datën 1 shtator 1928. Atëherë, cili është leximi që duhet konsideruar si themeli i procesit të ligjshëm?

Shpallja e Shqipërisë – Mbretëri u bë pasi u deklarua Princi i ligjshëm i saj, Vilhelm Vid. Por tashmë ish Princi, në deklaratën e vet, u shpreh se ai kurrë nuk kishte abdikuar, gjë që do të thotë se, në një farë mënyre, ai e pranonte se ekzistonte edhe mundësia e abdikimit. Ish Princi, pranon gjithashtu se ky abdikim do të mund të ishte i arsyetuar pas mbështetjes ose jo të popullit shqiptar, të cilën ai mendonte se e kishte. Ndërkohë, ai ndjente se mbështetja duhej “lexuar” përmes një referendumi, ku populli të shprehte vullnetin e tij. Këto labirinte arsyetimesh, nxjerrin në pah se, për shumë arsye, Princ Vidi e kishte humbur besimin dhe ndoshta të drejtën për të vijuar mbretërimin. Të mos harrojmë se ai ishte larguar prej 14 vjetësh nga Shqipëria, duke mos ushtruar asnjë atribut.

Tani vijmë tek momenti vendimtar që përcakton llojin dhe përfaqësuesin e një regjimi legjitim: mbështetja popullore. Cili ishte vullneti i popullit që kërkonte Vidi? A nuk e përfaqësonte Asambleja Kushtetuese vullnetin e popullit? A premtonin ato kohë të trazuara që të organizohej e të zhvillohej një referendum klasik sikurse e kërkonte Princi që kishte “humbur”?

Atëherë, në thelb, e gjithë deklarata e ish Princit mund të interpretohet pak a shumë kështu: “Mbretëria duhet të vazhdojë. Unë (ish Princi) jam njeri prej atyre që mund ta pretendojnë këtë fron, por për këtë duhet pyetur populli”. Sikurse është e njohur, populli, me fuqinë e Asamblesë Kushtetuese u shpreh, se Mbretëria duhet të vazhdojë. Gjithashtu, po në emër të vullnetit të popullit shqiptar, Asambleja përcaktoi edhe Mbretin – një shqiptar të madh, i cili e ka treguar veten se di të realizojë atë dëshirë e synim fisnik të vetëm që kishte edhe ish-Mbreti Vilhelm Vid – bashkimin, përparimin dhe prosperitetin e shqiptarëve.

Pavarësisht nga deklarata e Princ Vidit më 24 gusht 1928, Zogu në këtë çështje tregoi kujdes të veçantë, se i trembej gjetjes së ndonjë hapësire tjetër ligjore nga Fuqitë e Mëdha për rikthimin e Vidit në fronin e Shqipërisë. Si rrjedhim, lëvizjet e tij për të fituar kurorën mbretërore shqiptare gjatë periudhës së parë të aktivitetit politik në krye të shtetit shqiptar ishin kryesisht të ngadalta dhe shumë të matura. Zogu dhe ndihmësit e tij mendonin se ishte e domosdoshme fillimisht të bënin përpjekjet maksimale për të bindur Fuqitë e Mëdha si dhe për të siguruar mbështetjen e tyre në arritjen e këtij synimi madhor për të ardhmen e Shqipërisë dhe të tij. Pikërisht për këtë çështje historiania Valentina Duka, në librin “Monarkia Shqiptare 1928-1939” shkruan: “Më në fund, diplomacia britanike dhe ajo europiane në përgjithësi, të bindura edhe nga diplomacia italiane, tejet aktive në këtë mes, si dhe të etura për të parë një Ballkan të qëndrueshëm, u pajtuan për t’i hapur dritën e gjelbër ndryshimit të formës së qeverisjes në Shqipëri”.

Edhe pse arriti ta bindë faktorin ndërkombëtar, Zogu e kuptonte se një ndryshim i tillë kushtetues kërkonte domosdoshmërisht përgatitje të shumta edhe në planin e brendshëm. Duke qenë kurdoherë mjaft i kujdesshëm për ruajtjen e formës legale, ai u përpoq që ky ndryshim të bëhej brenda një kuadri kushtetues të rregullt.

Meqenëse, juridikisht, Asamblesë nuk i njihej e drejta që të ndryshonte Kushtetutën, u vendos rishikimi i përgjithshëm i Statutit (Kushtetutës) dhe për ketë, ishte e domosdoshme që deputetët të votonin një ligj organik. Në atë kohë, në vendin tonë ishin dy Dhoma, njëra e Deputetëve dhe tjetra e Senatorëve. Më 7 qershor 1928, u mblodhën dy Dhomat në një mbledhje të përbashkët dhe për të qenë në përputhje me shkronjën dhe frymën e Statutit, vendosën një shtojcë të nenit 141 me këtë përmbajtje: “Rishikimi i përgjithshëm i Statutit i përket vetëm Asambles Konstituente”.

Kur vendoset nevoja e rishikimit të përgjithshëm të Statutit, dy Dhomat quhen vetvetiu të shpërndara dhe dekretohen zgjedhje për Asamblenë Konstituente.

Më 17 gusht 1928, u zhvilluan zgjedhjet për Asamblenë Kushtetuese dhe asambleistat e dalë nga populli në këto votime, filluan mbledhjet më 25 gusht. Më 1 shtator 1928, ora 09.12, Asambleja Kushtetuese në mbledhjen e saj të katërt me vota unanime miratoi ndryshimet e Statutit, ku dy më kryesoret ishin: “Shqipëria është Mbretëri demokratike, parlamentare dhe e trashëgueshme” dhe “Mbret i Shqiptarëve është Nalt Madhëria e Tij – Zog I”.

Në një mënyrë shumë domethënëse për një vend me disa besime, Zogu bëri betimin mbi Bibël dhe Kuran: “Unë, Zogu, mbret i shqiptarëve, me rastin e marrjes në duart e mia të fuqisë mbretërore, betohem para Zotit të plotfuqishëm se do të ruaj unitetin kombëtar dhe integritetin territorial të shtetit. Unë do t’i përmbahem me besnikëri Kushtetutës dhe do të veproj në bazë të akteve të saj dhe ligjeve në fuqi, duke mbajtur gjithnjë parasysh vullnetin e popullit”. Në bazë të statutit të ri të Mbretërisë, Asambleja Kushtetuese u transformua në Parlament dhe e filloi mbledhjen e vet të parë me këtë cilësi të re, më datë 10 dhjetor 1928.

Përgatitja e opinionit publik shqiptar për kalimin nga republikë në monarki dhe zgjedhjen e Ahmet Zogut – Mbret të shqiptarëve, ishte shumë i domosdoshëm përpara se ky veprim të ekzekutohej. Stafi pran Zogut i kushtoi një rëndësi të madhe sensibilizimit të opinionit publik për këtë ngjarje historike kombëtare, ku u bë me të gjitha mjetet e duhura, por kryesisht nëpërmjet organeve të shtypit shqiptar dhe të huaj. U organizuan manifestime dhe mitingje, ku populli kërkonte ndryshimin e formës së regjimit dhe shpalljen e Zogut – Mbret. I pari telegram që mbërrin në Tiranë ishte ai i zgjedhësve të Skraparit, dërguar më 17 gusht, ku kërkohej zgjedhja e Ahmet Zogut si Mbret. Si Skrapari vepruan edhe prefektura dhe nënprefektura të tjera. Ky organizim dhe kjo atmosferë festive kulmuan me një miting të madh më 30 gusht në Tiranë.

Sigurisht që faktori ndërkombëtar ishte i informuar dhe i kishte dhënë Zogut mbështetje të plotë për këtë proces. Njohja zyrtare e Mbretërisë u bë në fillim nga Italia dhe në vijim, nga Hungaria, SHBA, Greqia, Jugosllavia, Uruguaji, Austria, Bullgaria, Franca, Holanda, Belgjika, Zvicra, Spanja, Polonia, Lituania, Letonia, Suedia, Finlanda, San Marino, Ekuadori, Egjipti, etj.

Këto ishin pra kushtet dhe rrethanat, por edhe fazat e kalimit të procesit ku u vendos dhe u legjitimua monarkia në Shqipëri. Çështja e legjitimitetit është një çështje madhore që lidhet drejtpërdrejt me stabilitetin politik dhe sigurinë kombëtare. Kjo formë qeverisje, erdhi edhe si vlerësim i përgjithshëm i situatave reale që kishte dhe po kalonte vendi, por edhe si domosdoshmëri, për të dalë mbi forcat e ndryshme politike dhe mbi krerët lokale, pasi rreziku i grindjeve partiake dhe individuale për të ardhur në pushtet me çdo mënyrë, shihej si një problem i madh kombëtar.

Periudha nga viti 1912 deri në ardhjen në fuqi të Monarkisë, ka qenë periudha më e destabilizuar e vendit dhe, rrjedhimisht, më e prekshmja për sigurinë kombëtare të Shqipërisë. Në këto kushte, për Shqipërinë dhe shqiptarët kudo ku jetonin, nuk kishte zgjidhje tjetër shpëtimi, mbijetese e sigurie kombëtare, përveçse të kalohej në një përqendrim edhe më të madh të energjive, përpjekjeve dhe forcave të të gjithë kombit, gjë që u mishërua në zgjidhjen politike të instalimit të Monarkisë.

Me shpalljen e Shqipërisë Mbretëri, u krijuan kushte të favorshme për t’u ushtruar plotësisht pushteti dhe qeverisja në të gjithë territorin e vendit dhe dhënien fund të intrigave dhe prapaskenave, në dëm të interesave të vendit. Gjithsesi, kjo mund të vlerësohet edhe si një mundësi për të ndikuar personalisht në zgjidhjen e problemeve kombëtare, në kushtet e klanizimit të politikave të brendshme shqiptare.

Formula dhe betimi mbi Kuran dhe mbi Bibël, u konsiderua faktor i rëndësishëm për stabilitetin, sigurinë dhe mbarëvajtjen e punëve shtetërore. Ai materializoi idenë e bashkëpunimit me të gjitha institucionet fetare, duke bërë hapa konkretë për të siguruar faktorë të rëndësishëm mbështetës e gjithëpërfshirës në çështjet e sigurisë kombëtare, ndër të cilët bashkëjetesa e feve të ndryshme, konsiderohej themelore.

Shpallja e Ahmet Zogut, Mbret i Shqiptarëve shënoi fillimin e fazës më të rëndësishme të realizimit të vizionit të tij për konsolidimin e shtetit dhe të gjithë instrumenteve që i japin kuptim qeverisjes moderne të tij.

Si përfundim, duhet thënë se gjendja e Shqipërisë përpara vendosjes së monarkisë, ka arsye të ndahet në dy periudha: në periudhën 1912-1925 dhe në atë të viteve 1925-1928. Të dy periudhat i ndan fakti se, në të parën, Shqipëria, edhe pse bëri “kapërcimin e ylberit”, d.m.th., kaloi nga gjendja e pushtimit 500-vjeçar në gjendjen e të jetuarit si komb më vete, nuk arriti, prapëseprapë, të formonte një shtet për të qenë, një shtet serioz që të kishte forcën e vet brenda vendit dhe fjalën e vet jashtë vendit. Sistemi politik qe i mjegullt dhe shumë i paqëndrueshëm.

Në kushtet e ndarjeve krahinore e fisnore, si dhe për shkak të ndikimeve të interesave të ndryshme të brendshme e të jashtme, në një periudhë prej vetëm 7 vjetësh pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, do të vinin e do të largoheshin plot 14 qeveri me kryeministrat: Myfid Bej Libohova, Fejzi Bej Alizoti, Turhan Pashë Përmeti, Esat Pashë Toptani, Sulejman Delvina, Iljas Bej Vrioni, Pandeli Evangjeli, Qazim Koculi, Hasan Prishtina, Omer Pashë Vrioni, Xhaferr Ypi, Ahmet Zogu, Shefqet Vërlaci dhe Fan Noli. Madje në dhjetor të vitit 1921 për shkak të ambicieve personale dhe konflikteve të vazhdueshme ndërmjet grupimeve politike, në vetëm 18 ditë, si pasojë e kësaj situate u ndërruan tre kryeministra, qëndrimi i të cilëve në qeverisje u mat me ditë: Qazim Koculi për një ditë, Hasan Prishtina për 5 ditë dhe Idhomeno Kosturi për 12 ditë.

Sikurse duket qartazi, Shqipëria, në këto vite, ka qenë në vakum pushteti, me mungesë stabiliteti dhe rrjedhimisht, e prekur edhe në sigurinë e vet kombëtare. Kjo paqëndrueshmëri politike në vend u pasqyrua edhe në takimet kryesore zyrtare evropiane ku vendoseshin fatet e vendit tonë. Elementi zyrtar shqiptar, në më të shumtën e rasteve, nuk ka qenë i pranishëm. Por edhe në rastet kur ka qenë i pranishëm, ai ka qenë i përçarë, sikurse ishte Konferenca e Paqes së Parisit në 1919 – shembulli më kuptimplotë.

Në këto kushte, Shqipëria nuk ishte thjeshtë e përçarë dhe e izoluar, por thuajse e lënë pas dore nga bota dhe, në rastin më ekstrem, e rrezikuar për të humbur edhe sigurinë kombëtare. Vendi ishte zhytur në varfëri. E vetmja zgjidhje ishte emigracioni, i cili, në ato vite, jo vetëm filloi, por edhe u masivizua si kurrë ndonjëherë.

Përkundrazi, në periudhën e dytë (1925-1928), që jo rastësisht lidhet me emrin e Ahmet Zogut, edhe pse brenda një kohe fare të shkurtër, Shqipëria u fut në rrjedhën e individualitetit të shtetit, të forcës dhe të fjalës së tij. Shqipëria filloi të pyetej në arenën ndërkombëtare, madje t’i dëgjohej edhe fjala sikurse ishte rasti për Çamërinë. Shteti, pothuajse u plotësua në infrastrukturën e vet politike. Gjithsesi, ajo që i bashkon të dyja periudhat është varfëria përgjithësisht e skajshme e vendit, infrastruktura e dobët, sistemi arsimor jo i zhvilluar, sistemi ligjor jofunksional dhe përfaqësimi diplomatik në botë jo i plotë.

Duke marrë parasysh sa më sipër, si dhe faktin tepër të rëndësishëm se, pikërisht në ato vite, situata e sigurisë në Ballkan dhe në Evropë po shkonte drejt përkeqësimit, atëherë për Shqipërinë dhe shqiptarët kudo ku jetonin, nuk kishte zgjidhje tjetër shpëtimi, mbijetese e sigurie kombëtare, përveçse të kalohej në një përqendrim edhe më të madh energjish, përpjekjesh dhe forcash të të gjithë kombit, gjë që u mishërua në zgjidhjen politike të instalimit të Monarkisë.

Një përvojë të tillë të përqendrimit të pushtetit politik në kohë rreziqesh të mëdha për sigurinë kombëtare e kanë përjetuar shumë kombe, pavarësisht se në çfarë forme është bërë ky përqendrim. Kështu pat vepruar dikur Gjermania nën “Monarkun” Bismark. Kështu patën vepruar edhe fqinjët tanë më të afërt, Serbia, Greqia, etj. Shqipëria nuk kish pse bënte përjashtim nga ky rregull. Përndryshe ajo do të vijonte të bëhej objekt lakmish të egra. Kalimi nga regjimi i Republikës në regjimin e Mbretërisë ishte, jo vetëm i domosdoshëm, por edhe i ligjshëm. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse një qeverisje legjitime është guri i themelit të stabilitetit politik dhe sigurisë kombëtare. Këtë legjitimitet, Ahmet Zogu e fitoi me mjete të ligjshme dhe me kontribute të spikatura të udhëheqësit të pranuar dhe të mbështetur në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.

Se çfarë arritën shqiptarët dhe Shqipëria nën drejtimin e Mbretit Zog I gjatë 11 viteve të Mbretërisë, është temë në vete dhe duhet trajtuar në një shkrim të veçantë.

Basha-Ramës: Ja vija e kuqe, përndryshe do të ketë përplasje civile

Kreu i PD-së, Lulzim Basha, gjatë bashkëbisedimit të sotëm me gazetarë i ka drejtuar një paralajmërim të prerë kryeministrit Rama, të mos guxojë të sjellë në Kuvend ligjin për Teatrin.

Ai i ka kujtuar Ramës se do të përballet me popullin dhe e ka paralajmëruar prerë Ramën: “Të tërheqë ligjin “Fusha. Të mos i shkojë në mëndje ta sjellë në seancë. Do të jetë shpallje e konfrontimit dhe e përplasjes civile. Mos t’i shkojë në mëndje ta sjellë në seancë, ajo është vija e kuqe, pastaj gjithçka do të jetë në dorë të njerëzve”- tha ai.

Nga Çyrbja, te Balla dhe Biba, Basha flet për skandalet e verës: Garantoj Ramën dhe shqiptarët se…

Kryedemokrati Basha e sheh gjendjen alarmante në të cilën ndodhet vendi, që nga kapja e drejtësisë, te kriza ekonomike dhe te situata e rendit në vend, produkt direkt të bashkëqeverisjes me krimin.

 

Teksa ka folur për kolaps të trefishtë, Basha theksoi sot në një bashkëbisedim me gazetarë se, “Kjo verë nuk ka qenë e nxehtë nga temperaturat, por nga vazhdimi i skandaleve dhe akteve që konfirmojnë krizën e trefishtë. Bashkëqeverisja e Ramës me krimin dhe kriminelët, qytetarëve u ka vënë një faqe interneti  për tu thënë nuk keni punë me mua, shkruani në internet, kurse kohën e kalon me kriminelë, me ata ulet vetë Rama, ministri i Brendshëm, kryetari i grupit parlamentar dhe e thotë me mburrje që ka miqësi me ta, dhe deputetë të tjerë, si Çyrbja i Durrësit që është faktuar si anëtar i bandës së Shullazit. Skandalet e verës zbulojnë skemën se si Rama bashkëqeveris me krimin, sa herë plas skandali, dikush mërzitet e dikush gëzohet, plasi skandali i Xhafës u gëzua Tahiri, u mërzit Xhafa, plasi skandali i Ballës, u gëzuar Çyrbja, plasi skandali i Agacit dhe Bibës u gëzuan të gjithë, se basti që ka vënë Rama është se çudia do zgjasë vetëm tre ditë”- tha Basha.

Basha iu drejtua më mesazh Ramës dhe gjithë shqiptarëve: E garantoj atë dhe i them cdo qytetari se ne do të bëjmë gjithçka që kjo të mos ndodhë, prioriteti i parë imi dhe PD mbetet shkëputja e lidhjeve të krimit me qeverinë. Asgjë nuk ka për të ndryshuar për të mirë asnjë reformë sado e mirë në letër nuk jep efekt sa kohë qe vendi qeveriset me krimin.

Gjykata e Strasburgut pranon ndërhyrjen e Bibës: “Bianku i tregoi personit se një qasje e tillë ishte e papërshtatshme”

Gjyqtarët e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut gjatë hapjes së sesionit të vitit 2018. Foto: Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut.

Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut thotë se kërkesat zyrtare dhe “qasjet e papërshtatshme” të qeverisë shqiptare u përballën me refuzim të plotë dhe se nuk mund të kishte “marrëveshje” mes presidentit të saj dhe Shqipërisë pasi çështjet trajtohen vetëm në rrugë gjyqësore.

Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut deklaroi se qeveria shqiptare ishte përpjekur përmes “qasjeve të papërshtatshme” dhe takimeve zyrtare në vitin 2014 që të siguronte një shtyrje të shqyrtimit për dhjetra çështje të depozituara në Strasburg për kthimin dhe kompensimin e pronave-fatura e të cilave kërcënonte me falimentim financat e shtetit shqiptar.

Një zëdhënës i Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut i tha BIRN se të dyja lëvizjet e  qeverisë shqiptare u përballën me “refuzimin e plotë” si nga gjyqtari Ledi Bianku, ashtu edhe nga autoritetet më të larta të Gjykatës së Strasburgut, të cilët u takuan asokohe me një  delegacion zyrtar shqiptar.

“Në vitin 2014, një zyrtar i afërt me qeverinë (zoti Denar Biba) kontaktoi zotin Ledi Bianku, gjyqtar i Shqipërisë, duke i kërkuar që Gjykata të shtyjë shqyrtimin e çështjeve që lidhen me kthimin e pronave. Gjyqtari Bianku i tregoi këtij personi se një qasje e tillë ishte e papërshtatshme dhe informoi menjëherë Presidentin në atë kohë të Gjykatës, Dean Spealmann,” tha zëdhënësi i Gjykatës së Strasburgut në një përgjigje me shkrim ndaj pyetjeve të BIRN. Ai shtoi se për rastin në fjalë ishte njoftuar edhe presidenti aktual i Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, Guido Raimondi, sapo ky i fundit kishte marrë detyrën.

Përmes këtij reagimi, Gjykata e Strasburgut konfirmon takimin mes Denar Bibës, asokohe kryetar i Komisionit të Prokurimit Publik dhe sot nënkryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe gjyqtarit Ledi Bianku dhe i referohet atij si “qasje e papërshtatshme”.

Një audiopërgjim i pjesshëm i bisedës ku dëgjohet vetëm Biba u publikua të martën nga Exit.al, ku ky i fundit dëgjohet t’i përcjellë gjyqtarit Bianku një mesazh nga sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Ëngjëll Agaçi që “t’u gjendet në këtë histori [shtyrjen e çështjeve]”. Në audiopërgjim, Biba dëgjohet gjithashtu të thotë: “A të ndalon më ky tren në stacion? Të ngelesh pa punë dhe ç’të vajti sakrifica! Njeriu bën kompromise në jetë”.

Publikimi i audios u pasua nga deklarata të ashpra të partive opozitare, PD dhe LSI, të cilat e akuzuan kryeministrin Edi Rama se kishte ushtruar shantazh ndaj një gjyqtari të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe se kishte tentuar të ndikonte mbi një vendim të kësaj gjykate. Përmes një reagimi të kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, mazhoranca e zhvlerësoi episodin si një “takim mes miqsh” dhe e krahasoi denoncimin me çështjen e “Babales”.

Edhe protagonisti i audios, Denar Biba e prezanton ngjarjen si një takim me njërin prej miqve të tij më të mirë, ndërsa refuzon në mënyrë kategorike që të ketë ushtruar shantazh ndaj Biankut apo që t’i jetë bërë e ditur prej këtij të fundit se “ishte një kontakt i papërshtatshëm”. Ai këmbëngul se biseda është spërdredhur në mënyrë malinje dhe se qëllimi i tij i vetëm ishte të merrte këshilla nga ish-pedagogu i tij për zgjidhjen më të mirë të çështjes-e cila ishte zyrtare dhe aspak e fshehtë.

“Në Strasburg kam takuar Ledi Biankun, është një nga miqtë e mi më të mirë, e kam pasur si guru në jetë.  I kam treguar qëllimin e vizitës, i kam thënë që jemi këtu për të kërkuar shtyrjen,”tha Biba në një bisedë telefonike për BIRN.

Biba i tha BIRN se në Strasburg kishte shkuar si ekspert i të drejtës kushtetuese së bashku me delegacionin që kryesohej nga zv.kryeministri i atëhershëm, Niko Peleshi. Ai pranoi megjithatë se nuk kishte qenë i pranishëm në takimin zyrtar që delegacioni zhvilloi në të njëjtën ditë me presidentin e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, Dean Spealmann.

I pyetur nëse takimin me gjyqtarin Bianku po bëhej me porosi të sekretarit të Përgjithshëm të kryeministrit Rama, Ëngjëll Agaçi, Biba u përgjigj se nuk e kujton kontekstin e përmendjes së Agaçit, ndërsa shton se “sekretari i Përgjithshëm më ka thënë që për shkak të ekspertizës duhet të jesh pjesë e ekipit”.  Ai e quan gjithashtu spekulim atë pjesë të bisedës që flet për “trenin” apo “kompromiset në jetë”.

“Metafora e trenit është për mua. Shoku im, Ledi Bianku me pyeti, pasi kishte pritshmëri për studentin e tij, më thotë po t’i pse vajte te Komisioni i Prokurimit Publik.  Dhe i tregova historinë. Nuk është qejf të mbetesh pa punë.  I thashë që më tha një miku im një herë të vjen treni në stacion,” shtoi Biba.

“Si mund të shantazhohet një gjyqtar i Strasburgut,” pyet më tej ai. “Për shkak të rrethanave që i krijon gjykata, ai është i pashantazhueshëm. I bëhet shantazh një njeriu të shantazhueshëm (jo atij).  Është naive fare,” shtoi më tej Biba, duke kërkuar publikimin e plotë të bisedës.

Gjyqtari i Shqipërisë në Strasburg, Ledio Bianku refuzoi të bënte komente mbi ngjarjen. Edhe zyra e shtypit e kryeministrit Edi Rama nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN.

Refuzimi i Strasburgut

Takimi mes Denar Bibës dhe Ledio Biankut u zhvillua në kohën kur qeveria e kryesuar nga Rama tentoi të merrte një shtyrje të dytë të shqyrtimit të çështjeve të pronave të aplikantëve shqiptarë në Gjykatën e Strasburgut. Kjo perspektivë ishte hapur me çështjen pilot “Manushaqe Puto v.Albania” në korrik të vitit 2012, ku Gjykata kishte vendosur të shtynte për një periudhë kohore çështjet e ngjashme, duke i lënë si detyrë qeverisë shqiptare përmirësimin e masave për kthimin e pronës në nivel kombëtar.

Ndërkohë që qeveria shqiptare dështoi të prezantonte një plan për zgjidhjen e çështjes së pronës deri në përfundim të afatit 18 mujor, kabineti i kryesuar nga Rama synoi të merrte një shtyrje të dytë jo më në sallën e gjyqit, por përmes takimeve të emisarëve politikë me autoritetet drejtuese të Gjykatës së Strasburgut.

Një kërkesë e tillë, sipas zëdhënësit të Gjykatës u përball me “refuzim të plotë” gjatë takimit zyrtar mes delegacionit të drejtuar nga Peleshi dhe Presidentit Spealmann në qershor 2014-duke u cilësuar në kundërshtim me rregullat proceduriale.

“Veçanërisht, çdo vendim i tillë është kompetencën e Dhomës përpara së cilës çështjet ishin në pritje dhe nuk mund të merret nga presidenti i Gjykatës. Për më tepër, një kërkesë e tillë mundet të shtyrtohet vetëm në përputhje me rregullat normale proceduriale,” tha zëdhënësi i Gjykatës së Strasburgut.

“Nuk ka pasur pra, dhe as nuk mund të kishte një “marrëveshje” mes Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe Shqipërisë në lidhje me shtyrjen e mundshme të çështjeve në fjalë,” shtoi zëdhënësi.

“Marrëveshja me Gjykatën e Strasburgut” u përmend me eufori nga kryeministri Edi Rama në një fjalim në parlament në vitin 2016, kur Dhoma përkatëse e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut vendosi pro shtyrjes së shqyrtimit të çështjeve të pronës-ndërkohë që qeveria shqiptare miratoi një ligj për kompensimin e pronarëve, i cili u kundërshtua nga këta të fundit.

“Megjithatë, kjo shtyrje nuk ka lidhje me ngjarjet e vitit 2014. Gjyqtari Bianku nuk mori pjesë në këtë vendim pasi ai ishte tërhequr nga këto raste,” tha zëdhënësi i Gjykatës së Strasburgut, i cili përforcoi mesazhin se të gjitha vendimet e Gjykatës merren nga formacionet gjyqësore dhe në përputhje me procedurat e përcaktuara në Rregulloren e Gjykatës.

/BIRN/

INSTAT – Rreth 900 mijë shqiptarë mbi 25 vjeç nuk dinë asnjë gjuhë të huaj

Rreth 900 mijë shqiptarë të moshës mbi 25 vjeç nuk zotërojnë asnjë gjuhë të huaj. Shifra u përpilua nga INSTAT në kuadër të anketës mbi njohuritë për gjuhët e huaja në moshat mbi 25 vjeç për vitin 2017.

 

Rezultat tregojnë rreth 388 mijë shqiptare zotërojnë një gjuhe të huaj, 163 mijë zotërojnë dy gjuhë, teksa 47 mijë shqiptare njohin më shumë se tre gjuhë të huaja.

Anketa tregon se meshkujt kanë më shumë aftësi se femrat. Nga totali i popullsie mbi 25 vjeç që zotërojnë gjuhë të huaj, 57 për qind janë meshkuj dhe 47 për qind janë femra.

Në grupmoshën 25-45 vjeç njohuritë mbi gjuhët e huaja janë më të shpeshta se në grupmoshat e tjera.

Nga totali i të rriturve që zotërojnë një gjuhë të huaj, 19 për qind e tyre janë me arsim të ulet, 35.6% e tyre janë me arsim të mesëm dhe 39 për qind e tyre me arsim të lartë.

Më shumë se gjysma e të rriturve me arsim të lartë zotërojnë më shumë se një gjuhë të huaj.

Shqiptarët kanë një histori të vone më me mësimin e gjuhëve të huaja në shkolla e programe të posaçme. Më herët para çlirimit gjuhet e huaja janë mësuar në mënyrë autodidakte, ndërsa pas luftë në vitet 50 u hap një katedra e parë në vend dedikuar rusishtes.

Shqipëria përjetoi një izolim të gjatë nga regjimi diktatorial ku mësimi i gjuhëve të huaj ishte i kufizuar në disa prej tyre dhe në arsimin e ulët dominonte gjuha rusë dhe shumë rrallë ajo franceze dhe ajo angleze.

Gjatë kohës së monizmit popullsia në qytetet bregdetare mësoi gjuhën italiane nëpërmjet kanaleve televizive italiane.

Më vonë pas viteve 1990 me rënien e diktaturës u panë më shumë mundësi për zotërimin e gjuhëve të huaja. Menjëherë në shkolla filluan të dominojnë kurrikulat me gjuhën angleze, franceze dhe se  fundmi gjermane. Teksa shumë shqiptare të tjerë sidomos ata me arsim të ulët u njohën me gjuhët e huaja kryesisht përmes emigracionit.

Monitor

Protestë në Prishtinë, kërkohet dorëheqja e kryeprokurorit Lumezi

PRISHTINË – Rreth një mijë qytetarë u mblodhën dje në protestën e dytë me radhë në organizim të një grupi të qytetarëve nën moton “Shkarkim kryeprokurorit – Veting Gjyqësorit” me kërkesën kryesore për shkarkimin e Aleksandër Lumezit nga pozita e kryeprokurorit të shtetit të Kosovës.

Qytetarët mbanin pankarta me mbishkrimet “Nuk ka shtet, pa gjyqësor të pavarur”, “Lumezi, ik”, dhe brohoritën slogane “Me hajdutë nuk ka shtet”, “Hajdutët në burg” dhe të tjera. Pasi janë mbledhur në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, protestuesit kanë marshuar deri tek Zyra e kryeprokurorit Lumezi ndërsa më pas edhe deri tek ndërtesa e Qeverisë së Kosovës.

Në emër të organizatorit para qeverisë foli Shkëlzen Gashi i cili tha se shkarkimi i Lumezit kërkohet për shkak se ai ishte emëruar politikisht dhe për shkak se ai është ka ndërhyrë drejtpërdrejt në punën e Prokurorit Special Elez Blakaj, i cili ka punuar në rastin e keqpërdorimit me listat e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gashi tha se kërkohet edhe zbatimi i Vetingut ose verifikimi i gjyqësorit, që do të thotë shqyrtimin e vendimeve të figurave kryesore të gjyqësorit, prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe verifikimin e pasurisë së tyre.

“Kërkesa jonë e tretë është pastrimi i listës të mijëra veteranëve të rremë dhe mashtruesve të cilët dëmtojnë buxhetin e Kosovës për miliona euro. Për këtë, ne kërkojmë përkrahje, në radhë të parë, nga veteranët e vërtetë”, tha Gashi.

Gjithashtu kërkohet edhe aktakuzë kundër anëtarëve të Komisionit për verifikimin e veteranëve dhe invalidëve të luftës, përfshirë këtu edhe ministrin e tanishëm të Forcave të Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha dhe zëvendësin e tij Agim Çeku, i cili siç ka theksuar kryeministri Ramush Haradinaj, duhej të ishte shkarkuar kohë më parë.

Para të pranishmëve u adresua edhe Igballe Rogova, një aktiviste për të drejtat e grave, e cila tha se është turp që zyrtarët e lartë politikë nuk flasin publikisht për ndërhyrjen në punën e gjyqësorit.

“Kryeministri thotë hajduti. Kush është hajduti? Për prokurorin i cili mbron paratë publike thotë se është hajdut. Pastaj, ky tjetri që prezantohet si politikan modern, Veseli, e quan prokurorin frikacak. Por ky prokurori ka pasur guxim të flasë”, tha Rogova.

Protestat do të vazhdojnë, siç theksohet, deri në përmbushjen e kërkesave.

Protesta e sotme u mbështet edhe nga organizatat e shoqërisë civile nga Kosova, Institutit Demokratik i Kosovës, Demokracia Plus, Instituti Gjyqësor i Kosovës, Gap, Lëvizja “Fol”, KIPRED dhe Organizata “Çohu!”.

“Për shkak të dorëheqjes së ish-Prokurorit Special, Elez Blakaj, ne, organizatat e shoqërisë civile mbështesim plotësisht protestat e organizuara nga një grup qytetarësh për shkarkimin e Kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumesz. Letra e z. Blakaj sinjalizon integritetin e dobët të sistemit gjyqësor, dhe posaçërisht zyrën e prokurorit të shtetit për ndërhyrje politike, shantazh dhe kërcënime, që gjithashtu vjen nga Kryeprokurori i Shtetit. Ndërhyrja e Kryeprokurorit Lumezi që figurat e larta politike të shmangin procesin e drejtësisë është alarmante për drejtësinë në Kosovë”, thuhet në një deklaratë të përbashkët nga organizatat e shoqërisë civile.

Përgjimi: Edi Rama shantazhoi dhe kërkoi të blejë gjyqtarin në Strasburg

Që nga viti 1991, kthimi i pronave të konfiskuara nga regjimi komunist ka mbetur një çështje problematike për të gjitha qeveritë shqiptare. Deri sot, nuk është arritur të miratohet asnjë ligj i drejtë për njohjen dhe ligjërimin e pronave të konfiskuara dhe gjykatat—nën ndikimet korruptive, veçanërisht të sipërmarrësve të pasur dhe oligarkëve—shpesh nuk i kanë zgjidhur në mënyrë të drejtë konfliktet e pronave. Prandaj, shumë nga këto çështje kanë përfunduar në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) në Strasburg. Vitin e kaluar, ne raportuam se janë rreth 105 dosje pronash nën shqyrtim nga Gjykata e Strasburgu, me dëmshpërblime të kërkuara që arrijnë në qindra milionë euro. Ndërkohë, duke e përkeqësuar edhe më shumë gjendjen, qeveria Rama ka vazhduar të shpronësojë pronarë të ligjshëm për projektet e saj të “rilindjes urbane”, të cilat po rrisin numrin e çështjeve kundër qeverisë përpara GJEDNJ-së.

Duke kuptuar se, si çështjet e trashëguara të pronës, ashtu edhe çështjet e reja të prodhura nga politikat e tij, mund të krijonin një dëm masiv ndaj buxhetit të shtetit, qeveria Rama vendosi që të shmangë Gjykatën e Strasburgut nga shqyrtimi i çështjeve të pronës, ndërkohë që ai ka një ndikim të madh mbi gjykatat shqiptare.

Për këtë arsye, menjëherë pas ardhjes në pushtet, Kryeministri Rama pretendoi se do të hartonte një ligj i cili do të zgjidhte përfundimisht problemin e kthimit dhe kompensimit të pronave dhe të gjitha mosmarrëveshjet që lidheshin me pronën. Me këtë pretendim, ai filloi që të bënte presion direkt mbi Gjykatën e Starsburgut që të kthente të gjitha çështjet gjyqësore të qytetarëve shqiptarë dhe të mos pranonte të reja në pritje të ligjit që ai do të hartonte.

Me ketë mision, në qershor 2014, udhëtoi drejt Strasburgut një delegacion qeveritar, i kryesuar nga Zëvendës Kryeministri i atëhershëm dhe Ministër i tanishëm i Bujqësisë Niko Peleshi, dhe shoqëruar nga Avokatja e Shtetit Alma Hiçkaj, ish-Zëvendësministri i Drejtësisë Idlir Peçi dhe drejtoresha e atëhershme e Agjencisë së Kthimit dhe Kompesimit të Pronave dhe Ministre e tanishme e Biznesit Sonila Qato.

Qëllimi i vizitës ishte pikërisht t’i parashtronte zyrtarisht  Kryetarit të GJEDNJ-së Dean Spelmann kërkesën që Gjykata e Strasburgut të pezullonte shqyrtimin e të gjitha rasteve që lidheshin me kthimin dhe kompensimin e pronave, deri në hartimin dhe zbatimin e një ligji të ri mbi pronën, që qeveria do të miratonte së shpejti dhe i cili do të kënaqte të gjitha pretendimet e ish-pronarëve njëherë e përgjithmonë.

Nuk ka nevojë të thuhet se një ligj i tillë nuk u bë kurrë realitet—qeveria miratoi në vitin 2016 një ligj që ngjalli kundërshtimin e pronarëve që u ishin konfiskuar pronat për shkak se ai mohon pothuajse krejtësisht kthimin apo kompensimin fizik te pronave dhe premton një kompensim minimal monetar. Akoma më keq, qeveria Rama miratoi në vitin 2015 Ligjin për Investimet Strategjike, i cili i jep të drejtën qeverisë të shpronësonte pronarët privatë për përfitim të sipërmarrësve private, të cilët duan të zhvillojnë mbi pronat e tyre “investime strategjike”.

Edhe më keq akoma, në shkurt 2018, qeveria Rama miratoi një vendim të Këshillit të Ministrave, i cili në mënyrë të njëanshme pezullon të gjitha proceset e kthimit dhe kompensimit të pronave private në bregdetin shqiptar, me qëllim që ato, përfshi pronat e konfiskuara nga komunizmi, të rezervohen për “investimet strategjike” private.

Duke u kthyer tek vizita e vitit 2014 në Strasburg, pjesë informale e delegacionit qeveritar ishte edhe ish-Zëvendës Kryetari i atëhershëm dhe Kryetari i tanishëm i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) Denar Biba. Qëllimi i udhëtimit të Bibës me përfaqësusit e qeverisë ishte të takonte gjyqtarin shqiptar të Gjykatës së Strasburgut Ledi Bianku, për t’i kërkuar atij të ndikonte tek kryetari i GJEDNJ-së për pezullimin e çështjeve të pronës të qytetarëve shqiptarë.

Exit.al ka siguruar një regjistrim të pjesshëm audio i cili u dërgua tek ne në mënyrë anonime, përmes postës elektronike të bisedës së zhvilluar mes Biankut dhe Bibës, e cila duket se është bërë në një mjedis publik, me gjasa bar ose kafe.

Në regjistrim, Biba shprehet se atë e ka dërguar Engjëll Agaçi, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, për t’i kërkuar Biankut të ndihmojë qeverinë, duke nënkuptuar se ndihma do shpërblehet, kurse e kundërta do ta lërë Biankun pa hapësirë ne sistemin e drejtësisë se vendit pas mbarimit të mandatit në Strasburg.

Edhe pse regjistrimi ka shkëputje, në të dëgjohen qartësisht fjalët e Bibës:

“Më mori Engjell Agaçi, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, e më thotë ç’e ke Ledi Biankun?

I thashë…

Më thonë që nga gjithë këta që kemi afër ne ti e ke [më afër].

[Agaçi më] tha… hajde të pijmë një kafe… ky muhabet të mërkurë, të enjte…

Tha, kemi këto problemet, e di ti gjithë kjo historia që do kërkohet shtyrja

Të lutem tha, ti lutesh të na gjendet në gjithë këtë histori … sot është Niko Peleshi [këtu në Strasburg] ka takim [me Kryetarin e GJEDNJ-së]”

Biba vazhdon:

“Ma paguan ata biletën…”

Pastaj, Biba i drejtohet Biankut për ta bindur që të pranojë të ndikojë:

“A të ndalon më ky tren në stacion? Të ngelesh pa punë dhe ç’të vajti sakrifica! Njeriu bën kompromise në jetë.”

Exit.al kontaktoi me Ledi Biankun, i cili konfirmoi takimi me Bibën dhe në vija të përgjithshme përmbajtjen e bisedës në regjistrimin audio, që na u dëgua ne në menyrë anonime me postë elektronike. Bianku, gjithashtu, pohoi për Exit.al se në përputhje me detyrimet e tij etike dhe ligjore, pas takimit me Bibën, ai informoi në lidhje me këtë ndikim të papërshtatshmë Kryetarin e atëhershëm të GJEDNJ-së Dean Spielmann.

Regjistrimi audio tregon si Zëvendës Kryetari i KQZ-së—një zyrtar i lartë i shtetit, i supozuar të jetë i paanshëm—dërgohet në Strasburg nga krahu i djathtë i Kryeministrit Rama, me qëllimin për të ushtruar presion mbi një gjyqtar të GJEDNJ-së për të ndihmuar qeverinë të mohojë të drejtat e qytetarëve shqiptarë për drejtësi, duke e shantazhuar gjyqtarin se mund të mbetet pa punë pasi të kthehet në Shqipëri pas përfundimit të mandatit.

Nëse qeveria Rama ka tentuar të shantazhojë një gjyqtar të gjykatës më të lartë europiane në mënyrë kaq të hapur dhe të shëmtuar, mund të merret me mend së çfarë trysnie ushtron ai mbi gjykatat e vendit, përfshi Gjykatën Kushtetuese. Mund të merret, po ashtu, me mend se çfarë trysnie mund të ushtrojë ai mbi anëtarët e organeve të vetingut për të mbajtur apo përjashtuar nga sistemi i drejtësisë gjyqtarë e prokurorë sipas besnikërisë së tyre ndaj tij.

Përpjekja për të korruptuar gjyqtarin e Gjykatës së Strasburgut për t’ju nënshtruar kërkesave të padrejta të saj, tregon se qeveria e Edi Ramës nuk do të ndalet para asgjëje për korruptimin e sistemit gjyqësor, në Shqipëri dhe në Strasburg.

Në të vërtetë, qeveria Rama e vazhdoi trysninë ndaj GJEDNJ-së edhe pas përpjekjes së mësip?rme—anëtarë të ndryshëm të saj vazhduan të vizitojnë Strasburgun për të ndikuar drejtuesit e GJEDNJ-së. Kështu, më 9 maj 2016, GJEDNJ-në e vizitoi një tjetër delegacion qeveritar i kryesuar nga Ministri i Financave Arben Ahmetaj për të parashtruar të njejtin qndrim para  kryetarit të ri të GJEDNJ-së Guido Raimondi, i cili sapo ishte zgjedhur.

Pas kësaj vizite, më 12 maj 2016, Kryeministri Rama deklaroi në mënyrë triumfale në sallën e Kuvendit se “kemi arritur marrëveshje me Gjykatën e Strasburgut se nuk do ketë më vendime pronash kundër Shqipërisë dhe çështja e pronës u zgjidh.”

Nuk është e qartë se mbi çfarë baze e bëri kryeministri Rama këtë deklaratë, por është e qartë se ajo bie ndesh më çdo koncept të drejtësisë e shtetit ligjor dhe shkel të drejtën e qytetarëve shqiptarë për një proces të drejtë ligjor për mbrojtjen e të drejtave të tyre.

Trysnia e ushtruar ndaj gjyqtarit Ledi Bianku hedh, gjithashtu, dritë mbi dështimin e njëpasnjëshëm të përpjekjeve të qeverisë shqiptare për të zëvendësuar Biankun, mandati i të cilit ka mbaruar zyrtarisht që prej një viti.

Si asnjëherë më parë në historinë e Gjykatës së Strasburgut, lista e kandidatëve të dërguar nga qeveria shqiptare është refuzuar tri herë nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, e cila shqyrton tre kandidatët e paraqitur nga qeveria për të përzgjedhur njërin prej tyre.

Afati i fundit i dorëzimit të listës së rradhës—listës së katërt—ishte 31 gusht 2017, por qeveria e shpalli listën e aplikantëve vetëm para pak javësh dhe arriti ta dërgojë listën e katërt me tre kandidatët e përzgjedhur mes tyre në fund të korrikut 2018, thuajse një vit pas afatit të caktuar. Vlen të theksohet se asnjë nga kandidatët e paraqitur nuk i është nënshtruar vetingut, edhe pse reforma në drejtësi e ka bërë detyrimin kushtetues vetingun ndaj çdo kandidati për gjyqtar.

Është e lehtë të merret me mend se pse qeveria ka dështuar dhe është vonuar kaq shumë në procesin e përzgjedhjes së gjyqtarit shqiptar në GJEDNJ. Kryeministri Rama kërkon me çdo kusht një gjykatës i cili do të bëjë çdo gjë që i kërkohet prej tij, përfshi refuzimin e çështjeve të kthimit dhe kompensimit të pronave. Është në dorë të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës të mos lejojë që të zgjidhet një gjyqtar i tillë./Exit.al

TROJET E SHQIPTARËVE NË ANKAND – Av. Agron ISA GJEDIA*

 

Çdo kush që arrin të hedhë vështrimin në thellësitë e shekujve e vëren se populli Shqiptar i  cili jeton në trojet e veta, i ka ndodh dhe po i ndodh që për pasojë të “gabimeve” të veta, ato të cilat nuk i ka pasë në karakterin e tij, që të sulmojë fqinjët e vetë dhe popujt e tjerë, e ka pësuar prej tyre historikisht, duke qenë pre e pabesive, grabitjeve, plaçkitjeve, luftrave, genocidit dhe shfarosjes permanente, e megjithatë në sajë të vitalitetit gjenetik dhe karakterit stoik, ka arritur që të mbijetojë sot e kësaj dite.

Ky popull është ndër të rrallët e mbijetuar, i cili prej shekujsh dhe po ashtu edhe sot e kësaj dite është në mes të disa rrathëve koncentrik të formuar mbi sipërfaqen e këtij globi nga tallazët historikë.

Gjurmët e këtyre “rrathëve” janë efektive sot e kësaj dite. Ata fillojnë nga territoret e shteteve dhe popujve grabitqarë që e kanë rrethuar historikisht, të cilët këtë vend të lakmuar të Mesdheut e kanë quajtur “pre” për zgjerime të vazhdueshme.

Më pas kësaj vijojnë tokat e  saj  të shpopulluara e të kolonizuara të cilat “banohen” sot e kësaj dite nga varret e të parëve tanë dhe artefakte të shumta arkeologjike të cilat flenë nën tokë si dëshmi e popullit që e ka jetuar atë territor.

Po ashtu fatkeqësisht apo fatmirësisht, po ashtu rrethohemi nga popullsi shqiptare e asimiluar e cila është dëshmia më e qartë dhe e gjallë e persekucionit të popullit shqiptar  nga fqinjët tanë pushtues, me të cilin na kanë “pajtuar” dhe duan të na pajtojnë Fuqitë e Mëdha dhe veglat e tyre në këto troje, së paku pa i detyruar asnjë herë për pendesë dhe për të kërkuar falje.

Jo vetëm kaq por atë popullsi shqiptare të tkurrur në këto troje të vetat të Gadishullit Ilirik, e kanë ndarë historikisht në jo më pak se sa 6 shtete të këtij Gadishulli.

Në vetë Shqipërinë e cila nuk është Shqipëri por një rudiment i saj, pjesa tjetër më vitale në ish Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë e në Shtetin Grek.

Kurse tani pas shpërbërjes se asaj sajese pa të ardhme historike në Republikën e Malit të Zi, tani së fundmi në Republikën e Kosovës, në Republikën e Serbisë, në Republikën e Maqedonisë, si dhe në shtetin Grek, pa llogaritur Arbëreshët e Italisë, të Zarës, të cilët edhe ata formojnë etnitetet e tyre, është edhe rrethi i parafundit koncentrik i këtij populli.

Kurse rrethi i fundit dhe me më pasoja që ka pasë dhe do ketë mbi vete ky popull, është rrethi i tradhtarëve dhe kolaboracionistëve të këtij populli të pushtuar paqësisht nga politikanë të shpërlarë dhe të shtrydhur pa vlera të cilët kanë punuar dhe po punojnë të meritojnë çmimin antikombëtar shqiptar “Vasa Çubrilloviç”.

Akoma nuk kemi institucione kombëtarisht të mirëfillta që t`i thërrasim kujtesës historike, sikurse mund të ishte besimi apo feja unike, Akademi Shkencash unike, Asosacione të shoqërisë civile unike, por herë pas here kemi rënë dhe biem në dorën e drejtuesve shqiptarë, mediokër të cilët jo vetëm që nuk e njohin historinë e këtij populli, por pandehin se historia e tij fillon nga aty ku janë ata dhe më pas dhe se vetëm atyre pas do u shkojë historia.

Janë këta soj politikanësh dhe shtetarësh shqiptarë, në Shqipëri dhe Kosovë dhe aq sa munden edhe ata të Maqedonisë, Malit të Zi, Serbisë, të cilët jo vetëm që nuk e njohin historinë e popullit të tyre, por për rrjedhojë as që e do atë, të cilët e kanë nxjerrë Shqipërinë natyrale në ankand, kush një copë dhe kush një copë tjetër, si kusur për postet që mbajnë arbitrarisht.

Jo vetëm falja por edhe atëherë kur është bërë dhe bëhet fjalë për shkëmbim territoresh, nuk është as më pak dhe as më shumë se sa një tradhti kombëtare sepse çdo shkëmbim i një territori shqiptar me një territor tjetër shqiptar të copëtuar, i konvenon vetëm legjitimimit të asaj ndarje të dhunshme e cila duhet riparuar me të gjitha forcat e mundshme.

Më mirë të ndarë padrejtësisht e të luftohet për riparimin e asaj padrejtësie se sa të legjitimohet ndarja duke hyrë në pazare të ulëta shkëmbimi territoresh duke legjitimuar padrejtësinë shekullore që na është bërë dhe vijon si e tillë edhe sot e kësaj dite.

Kësaj i shërbejnë vetëm tradhtarët e këtij populli dhe vendi, këtë e bëjnë vetëm ata politikanë, jo vetëm të paformuar kombëtarisht, të cilët nuk e njohin historinë dhe nuk janë të dashuruar me popullin e tyre, por edhe që janë cilësi dhe vlerë e për pasojë edhe shërbëtorë të përunjur të armiqve shekullorë të popullit shqiptar.

Këtyre, çdo sekondë, çdo minutë, çdo orë, çdo ditë, çdo javë, çdo muaj, çdo vit e, ruejna o Zot, që të ndodhë të vijojë edhe çdo dekadë, duhet t`ua bëjmë gjykimin historik të ndëshkimit të tradhtive të tyre dhe të flaken e nxirren jashtë skenës politike përmes të cilës po e dëmtojnë këtë vend, vendet përkatëse, por mbarë çështjen kombëtare.

Çështja kombëtare shqiptare prej shekujsh e pa zgjidhur, e cila është futur në shekullin e shqiptarëve dhe ka filluar zgjidhjen e saj, po dëmtohet energjikisht, nga qeniet politike të papjekura kombëtarisht, të cilët janë gati që çdo copë, disa copa, çdo pjesë, disa pjesë, të trojeve etnike shqiptare t`i shkëmbejnë me një copë karrige të cilën e mbajnë poshtë bythës së tyre në sajë të lëshimeve të herë pas hershme që kanë bërë dhe po bëjnë në dëm të interesave të kombit shqiptar.

Çështja kombëtare shqiptare është e dëmtuar që prej kur nuk mendohet, bashkërendohet e veprohet me një zë mbi bazën e një platforme mbarëkombëtare, të deklamuar ose jo dhe kjo të shërbejë që të ushtrohet presion pozitiv para ndërkombëtarëve duke i bindur ata përmes argumenteve, por edhe të shfrytëzohen hapësirat e lejuara në sajë të klimës në glob, por pa e marrë lejen e ndokujt.

Kjo arrihet vetëm atëherë kur politikanët e Tiranës nuk parcelizohen për të kryer keq detyrat para votuesve të tyre, por kur ata e shohin se para tyre del si detyrë që çështjen e Çamërisë, Arvanitasve dhe Shqiptarëve në Greqi ta trajtojnë duke e pasë në përparësi të tyre, po ashtu edhe çështjen e Kosovës, pa u ndërhyrë në çështje të brendshme ta shohin si çështje të tyre në çdo çast lajthimi të mundshëm.

Po ashtu duhet të jetë edhe për politikanët e Tiranës dhe Prishtinës, që së paku këto dy palë duhet të jenë në sinkroni të plotë për të parë dhe trajtuar çështjen e shqiptarëve të asimiluar të cilët duan dhe duhet të kthehen në identitet, sikurse janë ata në tokat shqiptare të Malit të Zi, në tokat shqiptare të Serbisë, në tokat shqiptare të Maqedonisë,  në tokat shqiptare të Greqisë, por edhe të kërkohet respektimi i të drejtave të tyre të njohura edhe përmes akteve ndërkombëtare dhe akteve të shteteve përkatëse në principet e reciprocitetit për shqiptarët ku ata janë minoritet, pakicë, dhe pjesë ku ata janë pjesë në çdo shtet përkatës, në Ballkan, Europë, por edhe në Botë kudo që të jenë ata.

Pra çështja Çame, Arvanitase, e shqiptarëve të asimiluar me e pa vullnetin e tyre të shprehur sot e kësaj dite në Bushnjak, sikurse është në Tutinë, Sanxhak, Novi-Pazar, e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, në Mal të Zi nuk është çështje vetëm e atyre shqiptarëve që jetojnë atje, por është çështje mbarëkombëtare shqiptare.

Deri sot nga shtetarët dhe pushtetarët shqiptarë, të përzgjedhur sipas peshës specifike duke u prirur nga më të lehtat dhe që dinë t`u bëjnë më së miri shërbimeve të të huajve, as që është menduar një gjë e tillë, por ata kanë qenë të zënë dhe po mbeten të zënë, se si të manipulojnë dhe fitojnë zgjedhjet e rradhës dhe më pas se si të fitojnë dhe manipulojnë zgjedhjet që do vijnë, pjesa e kohës që u mbetet, se si të përfitojnë  nga votuesit e tyre dhe taksapaguesit, si të tjetërsojnë pasuritë kombëtare dhe të popullit në një garë të ethshme se cili ndër ta do jetë në majën e piramidës së oligarkëve.

Pritshmëria e shqiptarëve për t`u bashkuar në Europën e Bashkuar (që herë pas here edhe kalon në “përgjumje”) e cila duhet të korrigjojë kushtet e sotshme, padrejtësitë që janë bërë ndaj nesh, është dhe do jetë një ëndërr për çdo shqiptar, por është kohë e humbur në qoftë se vetë Ne nuk bashkohemi në koncept, në vullnet, në mënyrën e sjelljes së përbashkët dhe shfrytëzimin e të gjitha hapësirave, shfrytëzimin e kohës duke fituar atë të humburën për të bashkërenduar dhe bashkëpunuar duke qenë një zë i përbashkët për të gjithë atë sa na takon dhe atë sa na mundon.

*Kryetar i Shoqatës Mbarëkombëtare “Bytyçi”, Tiranë-Prizren

Tiranë: Audio përgjimi Bianku – Biba mbi pronat

Opozita në Tiranë akuzoi qeverinë se është përpjekur të bëjë shantazh gjyqtarit shqiptar në Gjykatën e Strasburgut, Ledi Bianku, për të bllokuar cështjen e pronave të shqiptare, që paraqiteshin atje.

Akuzat e saj erdhën pasi media Exit.al publikoi pjesë të një bisede mes gjyqtarit Bianku dhe zotit Denar Biba, aktualisht nënkryetar i KQZ-së.

Biseda e zhvilluar disa vjet më parë mes Biankut dhe Bibës, regjistruar në një mjedis të hapur, ka ndërprerje të shumta, ndërsa autorët e shkrimit pohojnë se në këtë rast qeveria Rama shantazhoi gjyqtarin shqiptar në Strasburg për bllokimin e çështjes së pronave.

Kryetari i Partisë Demokratike të opozitës, Lulzim Basha, e quajti këtë një skandal të përmasave europiane dhe kërkoi nisjen e hetimeve ndaj Denar Bibës dhe Engjëll Agaçit, sekretar i përgjithshëm i këshillit të ministrave për korrupsion aktiv dhe ushtrim të ndikimit të paligjshëm në kryerjen e detyrës.

“Audio regjistrimi i Denar Bibës, aktualisht nënkryetar i KQZ-së dhe kandidat i Edi Ramës për anëtar të Gjykatës Kushtetuese, është prova më e pakundërshtueshme sesi e sheh dhe e projekton Edi Rama drejtësinë e re. Pasi ka vënë nën kontroll gjykatat dhe prokurorinë shqiptare, Edi Rama ka kërcënuar edhe shantazhuar gjyqtarin shqiptar në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg. Regjistrimi audio i publikuar në media, tregon qartë se si Denar Biba, në emër të Engjëll Agaçit, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, shantazhon gjyqtarin shqiptar në Strasburg, që të bëjë kompromis me Edi Ramën në kurriz të të drejtave të pronarëve shqiptarë” – tha zoti Basha.

Pak kohë pas konferencës së kryetarit të opozitës, doli para mediave nënkryetari i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Denar Biba, i cili hodhi poshtë si të pavërteta deklarimet për shantazh dhe shpjegoi rrethanat e takimit me gjyqtarin shqiptar në Gjykatën e Strasburgut, Ledi Bianku.

Vite më parë në një detyrë tjetër shtetërore, Biba tha se zhvilloi me Biankun një bisedë mbi mundësitë që Gjykata të shtynte afatet e detyrimeve për Shqipërinë, si kishte bërë edhe më herët.

“Akuzat ndaj meje janë të papranueshme. Zoti Bianku më ka pyetur në një bisedë të hapur e miqësore për karrierën time, i kam thënë se kemi ardhur për këtë gjë, i kam thënë me kërkesë të zotit Agaçi për këtë kërkesën që do t’i bëhet gjykatës për të shtyrë afatet për paratë që shteti shqiptar duhej t’u jepte pronarëve. Mjafton të dalë biseda e plotë dhe e pacensuruar dhe do të kuptohet se është një bisedë mes dy miqsh. Jam i habitur që opozita bën politikë me këtë çështje. Opozita të gjejë të plotë audio-përgjimin dhe të dalë e vërteta”, – tha zoti Biba.

“Zëri i Amerikës” u përpoq të kontaktonte me gjyqtarin Ledi Bianku, por nuk e arriti deri para programit Ditari. Ngjarja tërhoqi vëmendjen e opinionit publik e politik të kryeqytetit, të cilët po reagojnë në mënyra të ndryshme, ndërsa priten hetimet nga prokuroria për këtë audio-përgjim.

Forca e NATO-s zhvilloi stërvitje me Flotën Ushtarake shqiptare në Vlorë

Këtë javë, SNMCMG2 (Grupi 2 i Gatshëm i Kundërzbulimit të NATO-s), Forca e NATO-s për Veprim të Shpejtë në Kundërpërgjigje ndaj Minave, zhvilloi stërvitje me Flotën Ushtarake shqiptare në Vlorë.

“Shumë faleminderit për pritjen e ngrohtë në Vlorë. Ishte një vizitë e shkëlqyer dhe e suksesshme në det me flotën ushtarake shqiptare. Faleminderit për kohën e bukur që kaluam me miqtë tanë të ALS Butrinti dhe ALS Orikum”, tha komandanti i SNMCMG2.

(Teksti dhe fotot nga faqja në rrjetin social e Ambasadës të SHBA në Tiranë)

Fotografia e U.S. Embassy-Tirana

 

 

Fotografia e U.S. Embassy-Tirana

Shifra alarmante, 367 mijë shqiptarë aplikuan për Lotarinë Amerikane më 2017. Dyfishi nga 10 vjet më parë

Rreth 367 mijë shqiptarë, (apo 17% e shqiptarëve që mund të aplikojnë, mbi 20 vjeç) i varen shpresat e tyre te “ëndrra amerikane” duke aplikuar për Lotarinë Amerikane dhe duke u renditur kështu të parët në Europë që kanë përqindjen më të lartë të popullsisë që aplikojnë për lotari. Krahasuar me vitin 2007, numri i shqiptareve që aplikuan  për Lotarinë Amerikane është dyfishuar, nga 173 mijë shqiptarë që aplikonin  në 2007-n, në 2018 numri i aplikimeve kapi shifrën rekord prej 367 mijë, sipas statistikave të Departamentit amerikan të Shtetit . Rritja e aplikimeve në Lotarinë Amerikanë ka qenë e lartë, veçanërisht pas vitit 2013 sikurse shikohet edhe nga grafiku.

Sipas analizës së Pew  Research Center mbi aplikimet për Lotari Amerikane, në disa prej vendeve një pjesë e konsiderueshme e popullsisë aplikoi. Në Libi rreth 15% e qytetarëve aplikuan për programin, por edhe vende të thera të Afrikës kishin të njëjtën përqindje aplikimi. Në Sierra Leone rreth 14% e popullsisë aplikoi ndërsa në Gana vetëm 8%.

Në Europë vendet me përqindjen më të lartë që kishin aplikuar në programë ishin vendet e lindjes, ku Shqipëria mbante rekordin. Sipas të dhënave të Pee  Research Center, pas Shqipërisë renditet Moldavia me 11% të popullsisë, Armenia me 9%.

Ndërsa në Azi vendet që kryesojnë janë Uzbeksitani me 7% dhe Nepali me 4%.

Gjatë 2017-s më shumë se 22.4 milionë njerëz aplikuan në të gjithë botën  në programin e vizave amerikane, i cili jep rreth 50 mijë Green Cards, apo leje qëndrimi të përhershme nëpërmjet një sistemi lotarie. Numri i aplikantëve thuajse iu afrua rekordit të vitit 2016 ku në të gjithë botën aplikuan 23 milionë njerëz, kryesisht për shkak se administrata Trump tha se do ta hiqte programin.

Që nga 2005, më shumë se 200 milionë njerëz kanë aplikuar për lotarinë Amerikane, e cila kërkon që të diversifikojnë shtetësinë e popullsisë emigrante duke dhënë viza për emigrantët.

Vetëm 8 shtete kanë të paktën nga 1 milion aplikantë në 2016, duke u përgjigjur për më shumë se gjysma e totalit: Si Gana, Uzbekistani, Irani, Ukraina, Egjipti, Nepal, Etiopi dhe Sierra Leone./MONITOR

Kosovë-Serbi, Hahn: Çdo marrëveshje t’i shërbejë stabilitetit të rajonit

Komisioneri europian për Zgjerimin Johannes Hahn shmangu sot komentet e drejtëpërdrejta lidhur me një marrëveshje që do të çonte në një korrigjim apo rishikim të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, por saktësoi se “për ne ka vlerë stabiliteti në rajon dhe duhet të mbajmë parasysh se çdo lloj marrëveshje dypalëshe nuk duhet të rrezikojë stabilitetin e rajonit, por duhet të kontribuojë për më shumë stabilitet. Cilido qoftë objektivi përfundimtar, ky duhet të jetë objektivi kyç, sa më shumë stabilitet për rajonin, duke zgjidhur mirëfilli konfliktet dypalëshe”, tha zoti Hahn, ndërsa kujtoi se siç parashikon dhe strategjia e Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor “nuk do të pranohet asnjë anëtar i ri nëse nuk janë zgjidhur mosmarrëveshjet dypalëshe”.

Komentet e tij, Komisioneri Hahn i bëri në përfundim të takimit formal të krerëve të qeverive të vendeve të Ballkanit, i cili u zhvillua sot në Durrës. I pranishëm në këtë takim, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ritheksoi qëndrimin e tij të kundërt me idenë e hedhur që po mbështet presidenti i Kosovës Hashim Thaçi për një “korrigjim të kufijve”. Sipas zotit Haradinaj “Kosova i ka kufijtë e vet, me Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë dhe Serbinë. Ne i respektojmë këto kufij dhe nuk mendoj se duhet ndonjë kreativitet i ri për rishikim të tyre, por duhet të respektojmë kufijtë që kemi”.

Autoritetet shqiptare, i kanë qëndruar larg debatit për kufijtë, duke shmangur komentet apo deklarata. Edhe sot kryeministri Edi Rama evitoi t’i përgjigjej drejtpërdrejt pyetjes se cili ishte pozicioni i Tiranës duke u shprehur se mbështeste vlerësimet që bëri për këtë çështje Komisioneri Hahn.

Studimi për mobilitetin, 80 % e shqiptarëve duan të punojnë jashtë vendit

Shqiptarët vijojnë të kenë dëshirë të punojnë jashtë. Ky është përfundimi i një studimi mbi tregun ndërkombëtar të punës. Sipas këtij studimit, nga 2014-2018 përqindja e shqiptarëve që duan të largohen ka rënë disi, megjithatë, shteti ynë gjendet në listën e vendeve ku 70-80 % e të pyeturve duan të punojnë jashtë. Vendet e tjera të Ballkanit rezultojnë në nivel më të ulët të dëshirë për të punuar jashtë ose që aktualisht punojnë jashtë.

Boston Consulting Group dhe kompania ndërkombëtare e rekrutimit The Network janë bashkuar për të krijuar një nga sondazhet më të gjithëpërfshirëse të tendencave të punës dhe preferencat e punës – 366,000 njerëz në 197 vende, me titull “Të dekodosh talentet globale 2018”.

Studimi sugjeron se të kuptosh sjelljet e fuqisë punëtore globale është thelbësore për kompanitë dhe shtetet. Ata që e menaxhojnë atë, do të fitojnë fleksibilitet në adresimin e sfidave të tyre të ardhshme dhe do të kenë probabilitet më të lartë në mbështetjen e rritjes ekonomike.

Sipas studimit, ka një rënie e dëshirës për të punuar jashtë vendit, ndonëse vendet që kanë pasur një tendencë të tillë vijojnë të mbeten në shifra të larta (Si Shqipëria).

Sipas Boston Consulting Group, për këtë duket se ka ndikuar shtrëngimi i politikave të tregtisë dhe imigracionit në reputacionin e SHBA si një destinacion pune dhe se Brexit ka një tjetër ndikim në Mbretërinë e Bashkuar. Ndryshimet e sjella nga nacionalizmi i rritur me qeveritë populiste në krye të disa shteteve, gjithashtu janë ndikues kryesor. Faktorë të tjerë që gjithashtu kanë ndikuar në hartën globale të mobilitetit janë kriza e refugjatëve në Evropë, rritja e vazhdueshme e Azisë dhe ringjallja ekonomike e Evropës Lindore. Rezultati është se vullneti i përgjithshëm për të emigruar ka rënë. Pesëdhjetë e shtatë përqind e të gjithë të anketuarve tani thonë se do të lëvizin në një vend tjetër për punë. Ndërkohë që është ende një numër i konsiderueshëm, është 7 pikë përqindjeje më i ulët se kur është hulumtuar në vitin 2014./Monitor.

Kampi i Tepelenës duhet të jetë muze kombëtar – Nga Kastriot Dervishi

Letra e panevojshme e ish-kongresmenit Dioguardi drejtuar kryetarit të Bashkisë së Tepelenës, në kohën kur ka një lëmsh administrativ në lidhje me statusin e kampit të Tepelenës, më shtyn të bëj të njohura disa veprime të deritanishme jo në përputhje me legjislacionin shqiptar.

Qysh në fillim e them se i vetmi veprim i duhur është shpallja muze kombëtar me emrin: “Kampi i internimit tela me gjemba Tepelenë në vitet 1949-1953”. Emërtesa zyrtare e kohës ka qenë “Kampi i Tepelenës”. Prej këtu nis edhe marrja në konsideratë e kriterit historik. Kushtet e burgut të hapur të këtij kampi, prania e madhe e fëmijëve, si dhe rrethimi tela me gjemba, janë fakte që dalin në dokumentet zyrtare.

Për fat të keq, në trajtimin e statusit të vendit të kampit në fjalë, janë përfshirë institucione që nuk kanë asnjë lidhje me procesin e shpalljes së një muzeu të tillë, të cilët në rastin më të mirë mund të jenë vetëm propozues. Koncepti “memorial kombëtar”, i përdorur në korrespodenca me institucione nuk gjen mbështetje te legjislacioni shqiptar.
Në raste të tjera vendos Këshilli i Ministrave. Le të shohim disa veprime të muajve të fundit.

Bashkia e Tepelenës shkel e para ligjin. Këshilli Bashkiak i Tepelenës me vendimin nr.40, datë 30.11.2017 “Për miratimin e objekteve prioritare të investimeve për vitin 2018”, ndër të tjera ka vendosur ndërtimin e “Memorialit kombëtar të kampeve të punës së detyruar”, vendim që ma sa u duk ishte “lexuar” me vëmendje edhe nga ish-kongresmeni i sipërcituar.

Si bazë ligjore e vendimit, është përdorur neni 54/k i ligjit 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, për kompetencat e këshillit bashkiak, te i cili thuhet se këshilli bashkiak i njësisë: “miraton norma, standarde e kritere për rregullimin dhe disiplinimin e funksioneve që i janë dhënë atij me ligj, si dhe për mbrojtjen e garantimin e interesit publik”.
Shihet qartë që Këshilli Bashkiak i Tepelenës ka tejkaluar kompetencat, vendimi nuk ka referim të duhur ligjor dhe rrjedhimisht ky vendim duhet të jetë nul.

VIJON AUTORITETI
Pas këtij vendimi, me shkresën nr.52/1 prot., datë 29.1.2018, Autoriteti i dosjeve i drejtohet Ministrisë së Kulturës me kërkesën “për bashkëpunim” për “Memorialin kombëtar të kampeve të punës së detyruar në Tepelenë”. Pra, Autoriteti, krejt pa tagër ligjor në rastin e ndërtimit të muzeve, i vendos emrin e vet këtij procesi, duke cituar një bazë ligjore të paqenë, si dhe konventa ndërkombëtare krejt pa lidhje. Pastaj po vetë Autoriteti e ngatërron edhe më shumë kur thotë se projekti kombëtar është miratuar edhe nga një njësi vendore si Bashkia e Tepelenës.

Pra, projekti në formë është kombëtar, por në thelb del vendor. Në shkresë thuhet se miratimi i këtij memoriali do ishte hapi i parë drejt kthimit të kompleksit në muze “për kampet e punës së detyruar në Shqipëri”.  D.m.th. nuk duhet bërë hapi i parë ligjor duke e vendosur menjëherë statutin e muzeut, por do bëjë Autoriteti “nxehjen” për kohë të pacaktuar, e pastaj shohim e bëjmë për zbatim ligji. Këta që do ndriçojnë gjithë dynjanë, janë të pandriçuar për vete, ende nuk dinë se kampi nuk ka qenë kamp i punës së detyruar, sepse i tillë është ai që ndërton një vepër apo kryen punime në bujqësi e miniera.

Sa për ilustrim historik, sipas raportit të datës 13.1.1951 të Degës së Burgjeve dhe Kampeve në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Kampi i Tepelenës nuk përmendet fare i përfshirë në punët e detyruara. Ndryshe ndodh këtë kohë me Kampin e Valiasit ku raportohet puna jo vetëm e të internuarve shqiptarë, por edhe atyre grekë dhe (robër) gjermanë.

Vetë Autoriteti ka miratuar vendimin nr.54, datë 10.8.2017 “Për memorialin kombëtar të punës së detyruar” dhe një memoriali tjetër për ditën 30 gusht kushtuar të zhdukurve, pa referuar mbështetjen ligjore konkrete (neni i ligjit).
Kampi i Tepelenës ka qenë në varësi të Degës së Burgjeve dhe Kampeve dhe jo të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit. Në njoftimin e Autoritetit thuhet: “Ky projekt përmban rikthimin në identitet, si kamp dëbimi të një prej kapanoneve, vendosjen e stendave me dëshmi….” E gjitha kontradiktore e pa bazë ligjore.

D.m.th. do bëjmë eksperimente më parë, do japim shfaqje, do shohim ligjet tona dhe në fund do ngarkohet institucioni që e ka detyrë funksionale ta bitisë këtë punë. Pra, na rrofshin ligjet tona për trashëgiminë kulturore, i “zgjidh” Autoriteti të gjitha.

Autoriteti, si hallkë artificiale rënduese në buxhetin e shtetit, krejt i panevojshëm të ekzistojë, do që të jetë arkiv në shkelje të ligjit të arkivave, por tani do të jetë edhe bashki për nivel vendor, por edhe ministri kulture në nivel qendror. E që t’i zgjasë marritë e këtij rasti, lexoni çfarë thotë Autoriteti: “Autoriteti ka firmosur disa marrëveshje bashkëpunimi me partnerë, të cilët ndihmojnë në mbledhjen e dokumenteve dhe të dhënave zyrtare si dhe në ndërgjegjësimin qytetar dhe edukimin shoqëror, nëpërmjet rishqyrtimit të historisë dhe rivlerësimit të saj”.
Marrëveshjet brenda shtetit, janë mjeti kryesor i propagandës dhe “punës” së Autoritetit.

Kushedi sa marrëveshje ka nënshkruar Autoriteti. Aq shumë sa duket si përfaqësues i akredituar i një shteti tjetër në Shqipëri. Shfrytëzimi i dokumenteve është i lirë dhe i pakufizuar për askënd. Baza ligjore është ligji i arkivave. Asnjë dokumentacion që lidhet me Kampin e Tepelenës nuk është i klasifikuar. Autoriteti, ndonëse formalisht “i pavarur”, paraqitet si organ varësie, teksa citon në shkresën e sipërthënë programin e qeverisë “Rama” në vitet 2017-2021: “Rrugët e Kujtesës” janë, gjithashtu, një itinerar unik i Shqipërisë që do të vijojnë të nxjerrin në pah aspektin historik dhe edukativ të siteve të ish-diktaturës si Spaçi apo Tepelena, në vijim të projekteve tashmë të njohura muzeale të Kujtesës”.

Pavarësisht formulimit që nuk vjen hiç era shtet, por era shoqatë, edhe këtu flitet për muze që mund të jenë kombëtare, vendore ose (tashmë me ligjin e rij) autonome. Cilët janë “projektet tashmë të njohura muzeale të kujtesës” dhe a mbështetet këto në legjislacion? Kjo sepse veprimet e deritanishme në Tepelenë, përveçse propagandistike, nuk janë veçse ndërtime pa leje. Deri në qershor të këtij, për çdo gjë duhej operuar me ligjin nr.9386, datë 4.5.2005, “Për muzetë”. Shihet qartë se nuk është zbatuar fare ky ligj. Pavarësisht se thuhen një mijë gjëra e nënshkruhen çdo muaj marrëveshje teatrale bashkëpunimi, ende nuk dimë në pronësi të kujt është sot territori ku mund të ngrihet kompleksi muzeal, i bashkisë apo Ministrisë së Mbrojtjes? Ishte edhe një rrethanë tjetër që mund të shfrytëzohej këtë vit. Më 17.5.2018, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin 27/ 2018 “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, sipas së cilit, u konsideruan muze kombëtare 10 të tillë.  Kishin rastin të shpalleshin me këtë rast kampi i punës së detyruar të të burgosurve në Spaç dhe kampi i internimit në Tepelenë.

Nuk u shfrytëzua ky rast. Autoriteti propozoi përfshirjen në ligj të vendeve të pushkatimit në tipologjinë e pasurive kulturore (pavarësisht se nuk ka bazë tëzbatohet), por ngurroi të fuste edhe dy rastet në fjalë. Për të gjitha sa thashë më sipër, tashmë muzeu kombëtar mund të ngrihet vetëm me vendim të Këshillit të Ministrave me propozim të Këshillit Kombëtar të Muzeve në Ministrinë e Kulturës. Kësisoj, duhet pezulluar çdo veprim që bie në kundërshtim me legjislacionin tonë, duke bërë të mundur të miratohet sa më shpejt muzeu kombëtar i kampit të internimit tela me gjemba i Tepelenës.  Do ishte me vend që Autoritetit t’i shtoheshin kompetencat duke e kthyer në një agjenci koncertesh e ekspozitash. Të paktën do ishim të sigurt se legjislacioni do zbatohej në fushat e tjera.

* Kastriot Dervishi, ish-drejtor i arkivit te Ministrisë së Brendshme

Mustafaj: Thaçi jo serioz, marrja e luginës së Preshevës, pa dhënë gjë në këmbim, e pamundur

Publicisti Besnik Mustafaj bëri një analizë të çështjes së kufijve Kosovë-Serbi ditën e sotme i ftuar në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në News24.

Ai akuzoi Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, se është jo serioz në deklaratat e tij. Sipas tij qeveria, parlamenti e shoqëria civile janë të bashkuar në kundështimin e ndryshimit të kufijve.

I pyetur nëse gjithçka lindi nga Thaçi e Vuçiç, Mustafaj tha se çdo skenar është i mundshëm, por tërheqja e luginës së Preshevës pas dhënë asgjë në këmbi është e pamundur ta besosh.

“Termi është përdorur që nga mbarimi i luftës në Kosovë, nuk përdorët asnjëherë termi kosovar, por shqiptar e serb. Gjithë hipotezat janë të besueshme. Thaçi më duket jo serioz në këtë paraqitje. Ai e di mandatin e tij kushtetues, për zgjidhjen e këtij problemi është i pafuqishëm.

Nuk është kryesor reagimi i SHBA për këtë problem, janë institucionet e Kosovës, të cilët janë unanimë, përveç Baton Haxhiut. Qoftë qeveria, parlamenti e shoqëria civile janë kompakte në kundërshtimin për ndarjen e Kosovës. Tërheqja e luginës së Preshevës pa dhënë asgjë është naive ta besosh dhe e pamundur. Thaçi përmend vetëm atë që do merret, por jo atë që do jepet. Daçiç tha që Kosova do e marrë luginën e Preshevës do kur të bëjë shelgu rrush.

Asnjë kompetencë s’ka Washingtoni të përcaktojë në fatin e Kosovës, nuk janë ata që vendosin për lëshime territoresh,” tha Mustafaj.

 BalkanWeb

DY FJALË PËR LIBRIN PËR PLISIN E BARDHË DHE AUTORIN E TIJ, AGRON GJEDIA – Nga Ramiz LUSHAJ

E diela e fundit e gushtit 2018 do të festohet me veprimtari tradite në Parkun Kombëtar të Dajtit. Shenjohet 15 vjetori i Festës së Bytyçit, organizuar nga Shoqata Mbarëkombëtare “Bytyçi”, Tiranë-Prizren, e cila është një nga ma krye/shquarat ndër simotrat e saj të Shoqërisë Civile gjithkahit ku flitet Shqip, ndër Shqiptarí. Kryetari i saj, prej nga themelia, është av. Agron Isa Gjedia, me hapa përkushtimor, të urtë, dritënor dhe punëra të mira e të larta me Shoqatën panshqiptare të Bytyçit e të bytyçasve. Ndaj, mendoj, se ka ardh’ dita që kjo Shoqatë e Klasit të Parë, po dhe kryetari i saj – një qytetar e veprimtar i réndit të parë, të vlerësohen me dekoratë apo titull nderi nga Presidenti i Shqipërisë e, pse jo, dhe nga Presidenti i Kosovës.

Nja 7 vite ma herët, e diela e 28 gushtit 2011, sigurisht, patjetër, do të hynte natyrshëm në histori, do të bante realisht historinë e vet duke marrë emër e lartësime gjithkund ndër shtete e treva etnike dhe diasporat shqiptare. “Festa e Bytyçit e Bytyçave”, kjo veprimtari tradicionale, prej kësaj date u thirr ndryshe dhe “Festa e Plisit të Bardhë” dhe, aty, atë ditë, u ndërmor nisma për ta kthye në një Festë Mbarëkombëtare Shqiptare. Shoqata “Bytyçi” e kryetari i saj, av. Agron Isa Gjedia, ishin të parët e kësaj nisme dhe në ballë të saj prej atëherit e deri më sot. Edhe nesër. E, fill pas Bytyçit në Dajt, bash në kryeqytetin historik dardan, në Shkup (Maqedoni), në Ditën e përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2012, Lëvizja “Zgjohu” e organizoi veprimtarinë solemne e festive “Dita e Plisit”. Po këtë vit, në prag të Ditës së Flamurit Kombëtar Shqiptar, më 25 nëntor 2012, në Nju Jork të Amerikës, Fondacioni i atyshëm i Plavë-Gucisë (me nismë e mbështetje të biznesmenit Bruno Selimaj e vllait të tij, Alex Selimaj, kryetar i asokoshëm i FPG) e organizuan “Ditën e Plisit” në Amerikë.Mbasandejna, në 2014 e në vazhdimësi, pati veprimtari “Dita e Plisit” në vende e kulla historike të Kosovës, si në Klinë, Junik, Drenicë, etj., të cilët kanë për kryenismëtarë e organizatorë atdhetarët: Ismet Krasniqi – Lala e Prend Buzhala. Tashti, tradita e Festës së Plisit të Bardhë ka marr’ udhë për mirë gjithkahit, gjithkund.

Merita i takon të parit, Shoqatës Mbarëkombëtare “Bytyçi”, Tiranë-Prizren, po këta si Shoqatë e me kryetarin e tyre z. Gjedia, mbeten gjithnji meritorë, sepse ka 7 vite që e mbajnë të ndezur flakadan Festën e Plisit të Bardhë në Dajt, e këto vitet e fundit tek Teleferiku e “Ballkoni i Dajtit” i të ndjerit, dr. Muhamet Malo – Nderi i Kombit, Njeri i Mirë, biznesmen filantropist e të pasardhësve të tij, Migena Malo e Enklajd Malo.
Ka 7 vite që Shoqata “Bytyçi” dhe Agron Isa Gjedia janë në ballë të kësaj nisme, në krye të kësaj veprimtarie,vetveprues, bashkëpunues e bashkrendues me të tjerët. Sikur asgja ma tepër e ma shumë mos të kishin bá Shoqata Mbarëkombëtare “Bytyçi” e Agron Isa Gjedia veç këtë Festë të Plisit të Bardhë me veprimtari të shumanshme ka bá mjaft e mirë për t’u vlerësue e nderue nga të vetët e të tjerët, nga koha e historia shqiptare.

Agron Isa Gjedia, ky veprimtar elitar, para dy vitesh, më 2016, ishte nismtari e punëkryemi i Konkursit Kombëtar për Plisin e Bardhë, me kryeorganizator Poetekën Mbarëkombëtare “Ndue Bytyçi”– organizëm i Shoqatës Mbarëkombëtare “Bytyçi”, Tiranë-Prizren. Në konkurim e jashtë tij, morën pjesë gjithsej 85 poetë me 94 poezi, himn e poema për Plisin e Bardhë, ndër tá dhe vet Agron Isa Gjedia me poezinë “Fisi, Plisi e Lisi” (jashtë konkurimit), të cilën ia kushtimon babës së tij të mirë plisbardhë Isa Gurec Gjedia. Kjo flet dhe për atë “talentin e fshehur” të tij në të shkruarit poezi, pasi historia, kultura e natyra e Tropojës i ban të gjithë tropojanët të tillë, poetë. Sivjet, më 2018, në këto ditë gushti, në 15 vjetorin emblematik “Festës së Bytyçit”,

Shoqata “Bytyçi” e botoi dhe antologjinë poetike “Vargu i Plisit tim”, me redaktor poetin e njohur nga Çamëria, Namik Selmani dhe me financim të djalit e burrit të mirë bytyças, Alfred Shaban Lahuka, ushtarak i karierës, veprimtar i kohës, njeri model me virtytet e vlerat e tij. E thanun ndryshe, haptas: këtij Konkursi nuk do t’i vinte Ora e Konkurimit në malin e Dajtit dhe as Dita e Botimit në një antologji poetike në këtë 15 vjetor të Shoqatës, po të mos ishte Agron Isa Gjedia me përkujdesjet e tij në kohën, vendin e mënyrën e vet për t’i marrë e çuar deri në fund, për t’iu dalë në krye dhe nismave e aksioneve të tilla kulturore atdhetare.

Shoqata Mbarëkombëtare “Bytyçi”, Tiranë-Prizren, e ka “selinë e vet” tek çdo bytyças e bytyçase, të cilët janë “motorri” i saj, të cilët, me Kryesinë e Shoqatës e veprimtarët e saj bytyças e jo vetë bytyças, vetveprojnë si një ansambël i madh harmonik e frytdhënës.

E di se biznesmeni i shquar , Ram Geci i Bytyçit, pronari e drejtori i Përgjithshëm i Hotel Tirana International e i kompanisë së tij “Geci” gjithnjë e ka shfaq bujarinë e tij ndaj Shoqatës “Bytyçi”. Tjetra. Edhe në vitin 2015 ishte kontributor presidenti i Euro-Sig Kadri Morina në “Festën e Plisit të Bardhë” në Dajt. Them se ka dhe të tjerë, po nuk është koha e vendi të listnojë emra në vargni, pasi e kemi për objekt tematik Plisin e Bardhë e veprimtaritë rreth tij, kryetarin Agron Isa Gjedia e Shoqatën (e tij) “Bytyçi”, librin e tij “Plisi i Bardhë, Emblemë Hyjnore e Shqiptarisë”.

E, kur e cekëm se Shoqata Mbarëkombëtare“Bytyçi”,Tiranë-Prizren, funksionon e vetvepron si një “ansambël” veprimtarësh e vlerash, duhet theksue dhe fakti tjetër se ka dhe disa organizma të saj, që janë pjesë e saj, si Poeteka Mbarëkombëtare “Ndue Bytyçi” (i organizimit të konkurseve kombëtare), Forumi i Femrës Bytyçase (që e organizon çdo vit Festën e 8 Marsit, të titulluar së vomit dhe si Festimi i 8 Marsit Plisbardhë), etj. Gjithashtu, pranë kësaj Shoqate, vepron dhe një “Komitet” për ndarjen e çmimeve nga ma të ndryshmet, të shumta e të përvitshme, ku një ndër ta është dhe Çmimi “Plisi i Bardhë, Emblema Hyjnore e Shqiptarisë” (në tre klase: i parë, i dytë, i tretë), për çka fjalaflitet dhe në faqet 75-78 të këtij libri të autorit Agron Isa Gjedia.

Kryetari i Shoqatës “Bytyçi”, av. Agron Isa Gjedia, tashma e ka kaluar një gjysmë shekulli jetë. Prej 1 majit të sivjetëm po rrugëton kah 58-ta. Ai ka lindur në Çorraj të Bytyçit, në fisin e sojshëm, luftarak e kulturor të Bytyçit.

Fshati i tij bytyças, i njoftun ndryshe: Çorraj-Viliq ka disa personalitete të njohura, si biznesmeni i klasit të lartë Ram Geci (në 10 më të fuqishmit e Shqipërisë); ambasadori Islam Lauka – doktor i shkencave politike, studiues me disa monografi, pedagog universitar; vllaznit Bytyçi si Sejdi Bytyçi (disa grafika të të cilit e ilustrojnë dhe këtë libër për Plisin e Bardhë) e Sabit Bytyçi i “Vatrës” në Amerikë që kanë dhanë shumë për Kombin e vet Shqiptar; e të tjerë. Një ndër ta dhe Agron Isa Gjedia.

Njeri me katër diploma universitare: Agronomi në Universitetin Bujqësor të Tiranës; Juridik dhe Ekonomik në Universitetin e Tiranës; Histori-Gjeografi në Universitetin e Prishtinës (Shkolla e Lartë e Përgjithshme “Bajram Curri””, si dhe po ndjek studimet pasuniversitare të masterit në drejtësi, drejtimi kushtetues-administrativ. Ka dëshminë (çetifikatën) e avokatit të lëshuar nga Ministria e Drejtësisë (Tiranë, 1997) pas provimeve përkatëse. Krye Akademinë Diplomatike Shqiptare në Tiranë. Një kualifikim 6-mujor për Auditim, etj. Pra, njeri që e ndjek rrugën e dijes. Ia shton jetës e punës së tij të tillë “plisa” të dijes.

Av. Agron Isa Gjedia në fillimet e tij ka punue në ekonomitë bujqësore të Pacit e të Zogajve dhe në NB Fierzë në detyra të ndryshme; në disa firma private në Tropojë. Në dekadat e fundit ishte avokat në Tropojë, specialist në Zyrën e Punës në Tiranë; jurist në Prefekturën e Qarkut të Tiranës; jurist në komunën Bërzhitë të Tiranës, etj. Vitet e fundit avokat krejt në profesion të lirë, i liçensuar nga Ministria e Drejtësisë së Shqipërisë.

Av. Agron Isa Gjedia, përveçse kryetar i Shoqatës Mbarëkombëtare “Bytyçi”, Tiranë-Prizren, është dhe President i Poetekës Mbarëkombëtare “Ndye Bytyçi”; Kryetar i Shoqatës së Juristëve të Prefekturave dhe Njësive të Qeverisjes Vendore të Shqipërisë; kryetar i degës së Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Gjermani (për Tropojë), etj.
Av. Agron Isa Gjedia vjen me librin e tij të parë “Plisi i Bardhë, Emblema Hyjnore e Shqiptarisë”, pas një përvoje të gjatë si botues, si bashkautor në disa botime tematike e antologjike me studime, artikuj e krijime të tij, si në Tiranë, Prishtinë, Preshevë, Prizren, etj. si në botimin tematik “Dita e Plisit” (Vëllimi i dytë, i tretë, i katërt) përgaditur nga Ismet Krasniqi e Prend Buzhala, botuar në Prishtinë; monografia “Kryezinjtë e Gjakovës” i Mitat Q. Begollit (me një shkrim të tij) botuar në Prishtinë, 2013; “Dasmat Shqiptare në Preshevë dhe rrethinë, dikur dhe sot” (me një studim të tij), botue në Preshevë; në librin me përmbledhje të Sesionit Shkencor të Shkodrës (me një kumtim të tij), botue në Prizren; me parathanie e pasthanie dhe një poezi të tij te antologjia poetike tematike “Plisi i vargut tim” (Tiranë, 2018) si dhe në disa botime të tjera të kohëpaskohshme.
Njëherash, dhe botues i gazetës periodike “Bytyçi” (prej vitesh) dhe i asaj “Zëri i Malësisë së Gjakovës” (numër i vetëm).

Gjithashtu, ka mbajt referate e kumtuesa në disa konferenca, simpoziume e sesione shkencore në Shqipëri, Kosovë, Luginën e Preshevës, si dhe ka botue shpesh, ndër vite e dekada, shkrime të ndryshme në gazeta, revista e portale si në Tropojë, Tiranë, Kosovë, Maqedoni, Zvicër, SHBA, Mbretëri të Bashkuar, etj.

Libri i tij “Plisi i Bardhë, Emblemë Hyjnore e Shqiptarisë” (Parashtresa, trajtesa, vështrime) është i pari në udhën e tij të botimeve, që daton në 15 vjetorin e Shoqatës Mbarëkombëtare “Bytyçi”, në “Festën e Plisit të Bardhë” në Dajt, në të cilën vijnë nga e gjithë Shqipëri, nga Kosova, nga Lugina e Preshevës, nga Mali i Zi, nga Maqedonia, nga diasporat shqiptare në botë prej nga Europa në Amerikë. Një Festë Shqiptare që i bashkon, gëzon e lumturon shqiptarët, që pritet si një eveniminet kombëtar në të dielën e fundit të muajt gusht të çdo viti kalendarik.

Ky libër i Agron Isa Gjediat ka diçka të veçantë: ia kushtimon në tematikë Plisit të Bardhë dhe në hyrje e si hymn babës së tij plisbardhë, njeriut të mirë Isa Gurec Gjedia, i cili e ka motivuar e frymëzue në jetën e tij, në veprimtaritë e tij me Shoqatën “Bytyçi” e Plisin e Bardhë. Treva e Bytyçit dhe e Malësisë së Gjakovës (Tropoja) kanë qënë tjetër gurrë burimore e frymëzimi për ta shkrue këtë libër në ditë të sodit.

Librin e kanë shkrue vet veprimtaritë e publikimet mediatike të tij për Plisin e Bardhë, për çka flasin referancat përfundi botimit të tyre.

Ky libër kap një hark kohor prej 7 vitesh. Niston me trajtesën e tij vështrimore “Plisi i Bardhë, simbol me rëndësi kombëtare që duhet ruajtur e trashëguar ndër breza” (Gazeta “Bytyçi”, nr. 8, datë 28 gusht 2011), ku jep disa parashtresa të tij. Në faqet e këtij libri me interes lexuesit e tij do të gjejnë disa artikuj me parashtresa, trajtesa e vështrime për Plisin e Bardhë, si kumtime, dokumente zyrtare, esse, ilustrimet me foto tematike, etj. Pra, Agron Isa Gjedia ka paraqit disa nga parashtresat, trajtesat e vështrimet e tij në veprimtaritë e 7 viteve për Plisin e Bardhë pa pretendue se ka krye një studim shterrues për Plisin e Bardhë, që tradition prej nga Lashtësia pellazgo-iliro-dardane. Gjithsesi, objekti i kësaj pasthanie nuk ka të bajnë dhe aq me përmbajtjen e librit, pasi gjithçka duhet do ta kenë në lexim e komentim vet lexuesit e faqeve të këtij libri për Plisin e Bardhë.

Ky është një libër, siç e thamë, që e ka shkrue vet veprimtaria e Agron Isa Gjediat si kryetar i Shoqatës Mbarëkombëtare “Bytyçi”, Tiranë-Prizren, si nismëtar, organizator e punëkryem i gjithatyne aktiviteteve e aksioneve për Plisin e Bardhë. Një libër që dëshmon, sidomos e veçmas udhën e sotme të Plisit të Bardhë, me kryeprijtarë Shoqatën ”Bytyçi” e kryetarin e saj të përkushtuar, av. Agron Isa Gjedia.

Njeriu është e nevojshme deri e domosdoshme të flasin për atë që mendon e punon për shoqërinë e kombin e vet, t’i përshkruajnë gjithfarësh e t’i dokumentojnë gjithqysh për brezat e sotëm e të nesërm të truallit e kohënave. Këtë po e ban autori Agron Isa Gjedia me librin e tij për Plisin e Bardhë. Ai, gjithsesi, nuk don ta quajnë kurrkush sikur ka “ekskluzivitet” apo “pronësi” mbi/për/ndaj Plisit të Bardhë, përkundrazi ka dëshirë e përpjekje të tij që me veprimtaritë e tjera dhe botimin e sotëm të këtij libri për Plisin e Bardhë t’i bajnë libër e veprimtari “pronë” të të tjerëve, që ata të marrin e përcjellin prej tyre ato çka iu duhen e u shërbejnë për ma shumë e për ma mire në udhët e kohërat e tyre.

Av. Agron Isa Gjedia është fort i dhanun pas Plisit të Bardhë, si simbol kombëtar shqiptar, të cilin e lart rendit, pas Flamurit Kombëtar Shqiptar e,pas Gjuhës Shqipe. Ai e sheh Plisin e Bardhë si një ndër elementët përfaqësues e mbrojtës të identitetit kombëtar shqiptar ndër shekuj historie. Ai ngrihet në mbrojtje të Plisit të Bardhë ndaj çdo ndërhyrjeje e keqdeformimi të tij me elementë plotësues apo shtojcë. Ai sjell fakte e argumente të tij për ta paraqitë Plisin e Bardhë si një Emblemë Hyjnore të Shqiptarisë.

E, në përmbyllje, shprehim bindje se bash dashuria traditore e dijetare dhe përkushtimi veprimtar i Agron Isa Gjedia për Plisin e Bardhë e kanë shkrue këtë libër të tij për Plisin e Bardhë Kombëtar Shqiptar.

Tiranë, gusht 2018

Presidenti Meta nderon kujtimin e të internuarve dhe viktimave të kampit famëkeq në Tepelenë: Të reflektojmë së bashku në këtë ditë përkujtimore e kujtese!

 

24 gusht 2018

 

Tepelenë

 

 

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta mori pjesë në veprimtaritë përkujtimore për të internuarit dhe viktimat e kampit famëkeq në Tepelenë, që u zhvilluan në bashkëpunim me Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit e të Bashkisë Tepelenë, në kuadër të Ditës Europiane të Përkujtimit të Viktimave të Sistemeve Totalitare.

 

 

Me këtë rast, Kreu i Shtetit vlerësoi, duke dekoruar me Titullin e lartë “Për Merita të Veçanta Civile” Drane Jakjën (pas vdekjes); zonjën Mrikë Gjikola; zonjën Gjelë Gjikola si dhe zotin Lekë Pervizi në shenjë nderimi e respekti, e me mirënjohje të veçantë për vuajtjet e sakrificat e tyre si dhe dokumentimin historik nëpërmjet pasqyrimit e vizatimit të kushteve çnjerëzore të mbijetesës nëpër kampet e internimit, situatava dhe portreteve të papërsëritshme njerëzore.

 

 

Në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve, Presidenti Meta u shpreh:

 

 

“Të nderuar dhe të dashur të mbijetuar të ish-kampit të Tepelenës dhe familjarë të tyre,

 

Të nderuar përfaqësues të shoqatave të përsekutuarve politikë,

 

I nderuar zoti Kryetar i Bashkisë z. Peçi,

 

E nderuara zonja Ministre Kumbaro,

 

E nderuara zonja Kryetare e Bashkisë së Shkodrës Ademi,

 

E nderuara Kryetarja e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit znj. Sulaj,

 

I nderuar zoti Brian,

 

Të nderuar deputetë dhe përfaqësues të institucioneve,

 

 

Jemi sot në një ditë shumë të rëndësishme kujtese, por mbi të gjitha reflektimi.

 

Dita Europiane e përkujtimit të viktimave të sistemeve totalitare sjell ndërmend miliona njerëz që u bënë viktima të këtyre sistemeve, dhe kryesisht të burgosurit e kampeve të përqëndrimit, kampeve të vdekjes, gulagëve, kampeve të punës, e burgjeve.

 

Gjatë gjithë historisë, regjimet totalitare kanë prodhuar dhe shkaktuar dhunim të të drejtat njerëzore e mohim të dinjitetit njerëzor.

 

 

Kujtimi i tmerreve të së kaluarës është detyrë e të gjithëve ne, si shenjë respekti dhe detyrimi për të gjitha viktimat që kanë vuajtur dhe kanë vdekur dhe si një mënyrë për t’u siguruar që kjo nuk do të ndodhë më për gjeneratat e ardhshme.

 

 

Ky kujtim gjithashtu mbështet dhe ushqen angazhimin tonë për të zhvilluar demokracinë dhe respektimin e të drejtave të njeriut dhe për të luftuar shfaqjet e sotme të intolerancës, përjashtimit dhe ekstremizmit.

 

 

Vlerat e demokracisë qëndrojnë në principet themelore të saj si barazia, gjithëpërfshirja, transparenca, dhe kjo e fundit është thelbësore për viktimat e sistemit totalitar.

 

 

Keqinterpretimi i historisë mund të nxisë urrejtje dhe racizëm, ndërkohë që pajtimi mund të arrihet vetëm përmes nxjerrjes në dritë të të vërtetës, nëpërmjet transparencës së fakteve dhe ngjarjeve të ndodhura në këto kampe vdekjeje.

 

 

Pajtimi me të kaluarën mund të arrihet vetëm duke ndarë dhe duke promovuar të gjithë së bashku, kujtimet e heronjve që sakrifikuan jetën dhe vitet e tyre më të bukura në mbrojtje të dinjitetit njerëzor, të besnikërisë ndaj idealeve të tyre, të drejtësisë, të lirisë dhe të së vërtetës!

 

 

Sepse disa nga këta heronj, po perifrazoj titullin e librit të At Zef Pllumit ”Rrno vetëm për me tregue”, jetuan dhe jetojnë për të treguar tmerret e terrorit komunist dhe totalitarizmit. Tregojnë që ne të mos harrojmë! Sepse siç na ka mësuar përvoja njerëzore, tragjeditë e së shkuarës janë të destinuara të përsëriten nëse e harrojmë historinë.

 

 

Pajtimi, gjithashtu, mund të arrihet duke kërkuar të falur, duke pranuar përgjegjësitë, duke shprehur respekt për të gjitha viktimat e regjimit totalitar dhe duke respektuar ata që luftuan kundër tiranisë dhe shtypjes.

 

 

Drejtësia për viktimat e regjimit komunist dhe totalitarist është thelbësore. Kërkimi i së vërtetës, hapja e arkivave, procedurat e lustracionit, rehabilitimi, integrimi dhe dëmshpërblimi i tyre janë disa nga mënyrat për t’u shprehur atyre dhe familjarëve të tyre mirëkuptimin, simpatinë dhe njohjen e vuajtjeve të tyre.

 

 

Dhe sot jemi së bashku në ish-kampin e Tepelenës pikërisht për të bërë këtë homazh, për të nderuar dhe vlerësuar sakrificën dhe qëndresën e të mbijetuarve të Kampit të Tepelenës, që i dhanë përmasë njerëzore përballjes me totalitarizmin, si personalitete frymëzuese për shoqërinë e sotme shqiptare.

 

 

Znj. Gjelë Gjikola, znj. Mrikë Gjikola, dhe z. Lek Pervizi që janë sot këtu, por dhe kujtimi i znj. Drane Jakja janë disa nga figurat më frymëzuese që vlerësohen edhe sot këtu në Tepelenë, në vendin ku u zhvillua drama e tyre jetësore dhe u kalit mbijetesa, në emër të sakrificës dhe humanizmit të njerëzve të thjeshtë.

 

 

Jeta e tyre ka qenë një kalvar i gjatë dhimbjesh dhe vuajtjesh, por humanizmi, sakrifica dhe heroizmi i tyre duhet të bëhen shembuj frymëzimi veçanërsiht për brezat e rinj.

 

 

Nuk ka dhimbje më të madhe për një nënë sesa humbja e jetës së fëmijës së saj. Por tre gratë, që nderojmë sot, u ngritën mbi dhimbjen dhe me sakritificë dhe vetmohim, pa marrë parasysh pasojat e rënda që mund t’u vinin kryen akte heroizmi e vetmohimi.

 

 

Dy prej tyre, znj. Gjelë Gjikola dhe znj. Mrikë Gjikola, varrosën vetë vajzat e tyre 3-vjeçare pranë kampit për t’i rigjetur, rizhvarrosur dhe për t’ju siguruar një vend prehjeje të identifikueshëm vetëm pas 55 vitesh.

 

 

Znj. Drane Jakja varrosi dhe më pas zhvarrosi djalin e saj 2-vjeçar, duke e mbajtur për shtatë javë trupin e tij pranë vetes, për ta rikthyer në vendlindje e për ta varrosur sipas zakoneve.

 

 

Ndërkohë që z. Lek Pervizi i ka bërë një shërbim të paçmueshëm historisë nëpërmjet dëshmive në formën e vizatimeve, të sjella deri në ditët e sotme. Duke përdorur thëngjill e laps, ai ka dokumentuar me saktësi figura, ndërtesa, situata, portrete dhe njerëz. Të dhënat që vijnë nga vizatimet e tij, të cilat i pamë në hyrje në kampit, shprehin gjendje, njerëz dhe situata të papërsëritshme me qartësinë dhe besnikërinë e një fotografie.

 

 

Këta janë vetëm 4 nga shumë heroina e heronj që kanë vuajtur në këtë kamp famëkeq, që sot nderohen në respekt të një bashkësie që kërkon paqësisht të përballet me të kaluarën dhe kërkon paqësisht të jetojë të ardhmen.

 

 

Për merita të veçanta civile, në kujtesën e kombit ata janë shembuj të vetëdijes qytetare, por dhe kombëtare për të ardhmen.

 

 

Nderim përjetë të gjithë disidentëve dhe ish-të përndjekurve politikë të Shqipërisë që dhanë jetën në emër të lirisë dhe të dinjitetit njerëzor!”

 

 

Në përfundim Presidenti i Republikës pasi falenderoi organizatorët për këtë iniciativë u shpreh se:

 

“Është detyra jonë që të ndriçojmë historinë tonë, me qetësi dhe drejtësi, në emër të forcimit të paqes sociale e të realizimit të një pajtimi kombëtar të vërtetë. Kjo sakrificë e jashtëzakonshme duhet kujtuar në mënyrë të vazhdueshme, për të mos përsëritur drama dhe tragjedi të tilla për shoqërinë dhe për popullin tonë, për mos e ndarë më atë siç ka ndodhur në të kaluarën dhe për të patur gjithmonë parasysh atë që ka thënë Shën Nënë Terezës: ‘ne të gjithë i përkasim njëri-tjetrit’.

 

Faleminderit të gjithëve, për këtë iniciativë kaq kuptimplotë për të ndriçuar këtë vend dhe sidomos për këtë zgjidhje kaq të mençur, për të mbjellë filiza të rinj këtu në Tepelenë që na kujtojnë se këto sakrifica të jashtëzakonshme duhet t’i vëmë në shërbim të mbarë kombit për një të ardhme më të mirë dhe më të paqtë!”.

Meta dekoron të mbijetuarit e Tepelenës, tri nëna që varrosën fëmijët e tyre

Drande Jakja jetoi edhe gati 70 vjet të tjera pas vdekjes së të birit. Jetoi një shekull, ndërsa historia e saj e pazakontë do ta kalojë shekullin e jetës së saj.

Një histori makabre, dhimbjeje dhe nderi. Drande Jakja, e cila ruajti 7 javë pranë vetes trupin e pajetë të të birit në kampin e Tepelenës, u dekorua dje pas vdekjes, nga Presidenti Ilir Meta. Dje, në Ditën Europiane të Përkujtimit të Viktimave të Sistemeve Totalitare, u organizua Dita Muze/Memorial në Tepelenë.

 

Në një ditë të gjatë, konceptuar me simpoziume shkencore, performancë artistike, ekspozita dokumentare, dëshmi dhe koncerte, një vend i veçantë iu rezervua nderimit të të mbijetuarve të kampit të Tepelenës. Në prani të të mbijetuarve apo të të afërmve të viktimave të përndjekjes komuniste, Presidenti i Republikës Ilir Meta nderoi me Titull për Merita të Veçanta Civile, disa nga simbolet e mbijetesës dhe të dhimbjes. Mes tyre janë tri nëna, që jeta u rezervoi fatin e tmerrshëm, të varrosin e zhvarrosnin me duart e tyre fëmijët e mitur, që vdekja ua mori në kampet e shfarosjes.

“Duke vlerësuar sakrificën dhe qëndresën e të mbijetuarve të Kampit të Tepelenës që i dhanë përmasë njerëzore përballjes me totalitarizmin, këto personalitete frymëzuese vlerësohen në Tepelenë, vendin ku u zhvillua drama e tyre jetësore dhe u kalit mbijetesa, në emër të humanizmit të njerëzve të thjeshtë. Kjo në respekt të një bashkësie që kërkon paqësisht të përballet me të kaluarën dhe si përgjegjësi e shoqërisë së sotme për rivlerësimin e këtyre figurave, në një ditë kujtese e reflektimi”, tha ndër të tjera Presidenti i Republikës Ilir Meta.

 

DEKORIMET Në ceremoninë e zhvilluar dje në mbrëmje në Tepelenë, Presidenti i Republikës dekoroi dy gra malësore, dy gra të forta, që nuk u ndalën për 55 vjet, deri sa rigjetën eshtrat e bijave të tyre të vdekura në Turan të Tepeleës.

Ato janë Gjelë Gjikola dhe Mrikë Gjikola që humbën fëmijët 3-vjeçarë në internim. Fëmijëve iu sigurua një vend prehjeje i identifikueshëm dhe pas gjysmë shekulli, nënat e tyre rifituan të drejtën për ta kujtuar fëmijën njerëzisht. Historia e Drande Jakjas, e dekoruar pas vdekjes, ka rrëqethur këdo që e ka dëgjuar.

Një malësore trimëreshë, e cila në një sakrificë mbinjerëzore zhvarrosi fëmijën 2-vjeçar që ndërroi jetë në kamp dhe e ruajti për 7 javë me radhë pranë vetes, për ta marrë nga kampi, rikthyer në vendlindje dhe varrosur denjësisht pranë gjyshit të vet, sipas zakonit, në një bashkëjetesë gati të pabesueshme të jetës me vdekjen. Lek Pervizi është një tjetër i mbijetuar i Tepelenës, që ashtu si At Zef Pllumi, ka rrojtur për me tregue, atë që sytë i kanë parë në kampin e Tepelenës, por jo vetëm kaq. Ai i ka të dokumentuara ato përmes vizatimeve, të cilat u ekspozuan dje në Tepelenë.

I dënuar nga 1945 deri në 1990, në Berat, Tepelenë, Porto-Palermo, Kamzë, Lushnjë, Kuç me heqjen e të gjitha të drejtave, bashkë me familjen e vet, Leka përshkoi një kalvar të gjatë internimesh dhe burgu, ku humbi gjyshen, nënën, vëllanë dhe ku edhe krijoi familje me një vajzë, që i mbijetoi Tepelenës, Gjyljana Malajn. “Shërbimi që i ka bërë Leka historisë lidhet me dëshmitë e gjalla që ai i ka sjellë deri në të sotmen, ku duke përdorur thëngjill e laps ka dokumentuar me saktësi akribike figura, ndërtesa, situata, portrete dhe njerëz. Në kushtet në të cilat u realizua ky dokumentim, mungesës së mjeteve bazë për mbijetesë, pikturat e tij të kampeve marrin vlerë të shtuar për informacionin që përcjellin në të sotmen nga një dëshmitar okular.

Të dhënat që vijnë nga vizatimet e tij shprehin pa interpretuar gjendje, njerëz dhe situata të papërsëritshme me qartësinë dhe besnikërinë e një fotografie. Skicat, vizatimet dhe pikturat e tij janë botuar si dëshmi e së shkuarës dhe homazh për ata që nuk ia dolën”, u shpreh Presidenti Meta. Vetë leka ishte i pranishëm gjatë ceremonisë së dekorimit, po ashtu edhe Gjela me shpirtin e copëtuar, ndërsa në emër të Mrikës, e cila fatkeqësisht po kalon orë të vështira shëndetësore, ishte e pranishme, e bija, Age Totaj, ndërsa në emër të nënës heroinë Drandes, ishte i biri, Nika.

PD – ja dokumentet: Kompania e Edmond Begos u pagua 10 milionë euro për Tiranë – Elbasan, lidhja me Ballën

Partia Demokratike ka vijuar edhe sot me akuzat kundër Taulant Ballës, dhe shton se kanë gjetur lidhje të tjera mes tij dhe Edmond Begos.

Duke treguar një dokument, deputeti demokrat Gent Strazimiri tha se në autostradën Tiranë-Elbasan, kompania e Edmond Begos ka përfituar 10 milionë euro nga paratë e taksapaguesve.

 

DEKLARATA E PLOTË E GENT STRAZIMIRIT

Tre vjet më parë, si në këtë kohë, i shtrenguar nga presioni ndërkombëtar, Edi Rama u detyrua të nxjerrë një nga një kriminelet e tij nga parlamenti. Por kjo ishte vetëm fasada, sepse bashkëqeverisja e Edi Ramës me krimin mbetet e pacënuar dhe Shqipëria parajsë e krimit të organizuar.

Kjo qeveri ka vënë buxhetin e shtetit në shërbim të trafikantëve të drogës, të vrasësve, të dënuarve për përdhunim dhe trafik vajzash e fëmijësh.

Dokumenti që Partia Demokratike publikoi dje për tenderin 1 miliardë lekë që miku trafikant droge i Taulant Ballës fitoi në Librazhd dy muaj më parë, është vetëm një nga shumë dokumentat zyrtarë që provojnë sesi taksat e shqiptarëve shkojnë për pasurimin e një grushti kriminelësh të lidhur me pushtetin.

Taulant Balla hesht, për të fshehur atë që e mendojnë të gjithë, se është ky personi i pushtetshëm që i ka siguruar trafikantit të drogës akses në paratë dhe pasuritë e shqiptarëve dhe se ky akses në miliona euro është burimi I miqësisë familjare që Taulant Balla ka me ish anëtarin e bandës së Lushnjës, që dikur luante futboll me kokat e prera.

1 miliardë lekët e dy muajve më parë për nënstacionin e Librazhdit janë shumë pak në krahasim më paratë e siguruara 3 vitet e fundit, jo nëpërmjet tenderave publikë, por si nënkontraktues i firmave private, që detyrohen nga I pushtetshmi i Partisë Socialiste t’i kalojnë paratë kompanisë së trafikantit të drogës.

Rasti më flagrant është ai I ndërtimit të autostradës së Elbasanit.

Partia Demokratike ka vërtetuar se kompania “Inerte Express” e trafikantit të drogës dhe mikut të familjes së Taulant Ballës ka përfituar 10 milionë euro që nga viti 2015 deri më sot nga paratë e taksapaguesve shqiptarë.

Është kjo një nga arsyet pse gjendja për njerëzit e zakonshëm është përkeqësuar dhe mesatarisht 45 biznese mbyllen në ditë, që kur Edi Rama vendosi thundrën në ekonominë shqiptare.

Ti dyqanxhi, biznesmen shqiptar apo i huaj, që psherwtin në kafe dhe thua që leku “është mçef”,  kupto që leku nuk është fshehur! Ai shkon në xhepat e trafikantëve të drogës, biznesi i të cilëve shumëfishohet brenda ditës nën kujdesin e veçantë të Edi Ramës dhe taulantëve të tij.

Në Shqipëri gjyqtarët bojkotojnë Këshillin e Lartë Gjyqësor

Në Shqipëri, asnjë gjyqtar nuk i është përgjigjur thirrjes së Gjykatës së Lartë, për të kandiduar për postin e anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor, i cili duhet të përzgjidhet nga anëtarët e pesë gjykatave të Apelit të rretheve. Pas thirrjes së publikuar për herë të parë më 31 korrik, Gjykata e Lartë sot vendosi të bëjë një thirrje tjetër. Afati për dorëzimin e dokumentacionit është deri më 6 Shtator. Nëse dhe kjo thirrje do të dështojë atëherë sipas ligjit do të përdoret shorti.

Nga të 11 anëtarët që përbëjnë Këshillin e Lartë Gjyqësor, 5 janë përzgjedhur nga jashtë sistemit. Për 6 anëtarët nga radhët e gjyqësorit pati gjithsej 14 kandidatura, nga të cilët vetëm 9 kaluan procesin e rivlerësimit. Sipas ligjit, 6 anëtarët që vijnë nga radhët e gjyqësorit për Këshillin e Lartë gjyqësor përzgjidhen 3 nga gjyqtarët e shkallës së parë, ku së paku njëri duhet të jetë i një gjykate jashtë Tiranës, 2 të tjerë nga Gjykatat e Apelit, ku njëri sërish duhet të jetë nga një gjykatë jashtë Tiranës dhe anëtari i 6 nga Gjykata e Lartë.

Në përfundim të procesit të rivlerësimit, janë 6 gjykatës së shkallës së parë që janë konfirmuar. Nga këta Marçela Shehu, nga gjykata e Kurbinit bën që të plotësohet kriteri për një anëtar nga Gjykatat e rretheve, dhe ajo automatikisht siguron vend në KLGJ e ardhshme, ndërsa 5 të tjerët, do t’i nënshtrohen votimit për dy vendet e tjera.

Për vendin e përfaqësuesit nga Gjykata e Lartë, i vetmi i rikonfirmuar në detyrë, pas procesit të rivlerësimit, është anëtari i saj Medi Bici. Kandidati tjetër, për në KLGJ, Artan Zeneli u rrëzua.

Sa i përket dy vendeve me gjyqtarë të Apelit, janë konfirmuar dy kandidatë, Ilir Toska (Gjykata Apelit Tiranë) dhe Nertina Kosova (Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda). Por që të dy vijnë nga Tirana. I vetmi që kishte konkurruar nga rrethet ishte Besim Trezhnjeva i Apelit të Durrësit i cili u rrëzua. Për këtë arsye Gjykata e lartë ka hapur thirrjen për gjyqtarët e Gjykatave të Apelit jashtë Tiranës për të paraqitur kandidaturën për t’u zgjedhur në pozicionin e anëtarit të KLGJ.

E njëjta situatë është dhe për Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Për tre vendet nga prokuroritë e Shkallës së parë janë kualifikuar 5 prokurorë, ndërsa tre të tjerë janë ende në pritje. Për kandidatët nga Prokuroria e Përgjithshme, për 1 post në KLP, janë dy prokurorë që kanë kaluar testin, ndërsa pritet përfundimi I procesit dhe për prokurorin Ramadan Troci.

Problematike situata për dy anëtarët që do të duhet të përfaqësojnë Prokuroritë e Apelit. Dy prokurorët, Besa Nikëhasani nga Apeli i Shkodrës dhe Luan Kaloci nga Apeli i Tiranës, u rrëzuan. Në detyrë u konfirmua vetëm, Arben Dollapaj nga Apeli i Shkodrës.Kësisoj mbetet I paplotësuar vendi për një anëtar nga Prokuroritë e Apelit.

Gjendja e krijuar, bën që të dy institucionet, si Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, të mos mund të ngrihen menjëherë. Në rastin më të mirë ato do të mund të krijohen nga fundi i këtij viti.

Ndryshimi i kufijve në rajon, deputeti i Ramës: Kosova i merr vetë vendimet

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka zhvilluar një takim me dy deputetë të Bundenstagut gjerman, ku ka folur dhe për tezën e hedhur së fundmi për ndryshimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.

Balla shmangu një përgjigje të drejtpërdrejtë, por tha se  Kosova është një vend sovran dhe vendimet i merr vet.

 

Çfarë mendon PS dhe shumica për një korrigjim kufijsh mes Serbisë dhe Kosovës?

Pyetjet tuaja ishin aq të ndryshme, dhe unë do të shmangja përgjigje krah një delegacioni të nderuar gjerman. Kosova është një shtet sovran dhe i pavarur dhe vendimet i merr vetë.

Një milion shqiptarë mbi 25 vjeç nuk kanë lexuar asnjë libër

Të lexuarit e një libri po shuhet pak e pak sidomos edhe për shkak të ndikimit të teknologjisë, internetit, por edhe rrethanave të tjera që lidhen me nivelin e arsimimit dhe gjendjen ekonomike.

Sipas të dhënave të INSTAT, të evidentuara në një anketë të posaçme shihet se vitin e kaluar mbi 1 milionë shqiptarë nuk kanë arritur të lexojnë asnjë libër.

Teksa pjesa tjetër mësohet se ka lexuar shumë pak. Rreth 320 mijë shqiptarë të moshës mbi 25 vjeç raportuan se nuk kanë lexuar më pak se 5 libra vitin e kaluar. Teksa pjesa e tyre që kanë lexuar më shumë se kaq sa vjen e zvogëlohet.
Rreth 102 mijë shqiptarët raportojnë se kanë lexuar 5-10 libra gjatë vitit të kaluar, ndërsa rreth 44 mijë shqiptarë kanë lexuar më shumë se 10 libra gjatë vitit të kaluar.

Gjithashtu leximi i gazetave vijon të jetë i kufizuar. Vetëm 583 mijë raportuan se lexojnë gazeta çdo ditë, duke përfshirë edhe leximet online. Ndërsa një pjesë e madhe e shqiptarëve, 213 mijë raportuan se lexojnë lajme njëherë në muaj dhe më rrallë se kaq lexojnë 127 mijë shqiptarë.



Lexojnë më shumë ata me arsim të mesëm dhe të lart

Rënia e numrit të shqiptarëve që lexojnë konfirmohet edhe nga tregues të tjerë. Sipas të dhënave statistikore të kulturës nga INSTAT, numri i frekuentimeve në bibliotekën më të rëndësishme në vend pothuajse është përgjysmuar gjatë vitit 2017. Numri i frekuentimeve në Bibliotekën Kombëtare zbriti në 88 mijë, nga mbi 150 mijë që kishte qenë në vitin 2016. Ndërsa Eurostat raporton se në BE, banorët shpenzojnë mesatarisht 200 euro për frymë për libra, ndërsa rreth 20 % e popullsisë janë lexues të rregullt të librave.

Në vendet perëndimore, rënia do të ishte tregues i sjelljes elektronike, që do të thotë se priren që të lexojnë në web më tepër se sa libra fizik, pra e-libra. Por, në rastin shqiptar e-libri nuk është shumë i pranishëm sepse, sipas përfaqësuesve të shtëpive kryesore, pirateria dhe aksesi i pakët në faqe si Amazon, janë penguesit kryesorë.

Në vitin 2016, Eurostat përllogarit se të gjitha familjet në Bashkimin Europian (BE) shpenzuan 90 miliardë euro ose 1.1% të shpenzimeve totale të tyre të konsumit në libra, gazeta dhe shkrimi. Kjo përfaqëson 0.6% të GDP-së së BE-së ose rreth 200 euro për banor të BE-së. Nga ana tjetër, shpenzimet e familjeve për këto objekte ishin më pak se gjysma e shpenzimeve të tyre në shërbimet rekreative dhe kulturore. Shpenzimet për libra, gazeta janë në rënie. Në vitin 1995, 1.8% e shpenzimeve totale të konsumit të familjeve në BE ishte e përkushtuar ndaj këtyre artikujve. /Marrë nga Monitor/

Romeo Gurakuqi: Territori nga Tamara në Vermosh dhe nga Tamara në Vukël, i harruar dhe i braktisur nga Qeveria Rama

VOAL – Deputeti i Shkodrës, Romeo Gurakuqi, i cili këto ditë ndodhet në skajin më verior të Republikës së Shqipërisë, sjell në faqen e tij në facebook edhe këtë status ku shpreh shqetësimin për këtë zonë që jeton vetëm nga emigracioni dhe që është braktisur krejtësisht nga Qeveria Rama, ku nuk ka energji elektrike, nuk ka sinjal për telefoninë mobile, ku mungonë edhe shërbimet më të thjeshta e më jetike.

Më poshtë po sjellim statusin e plotë:

 

Perballe Bjeshkeve te Namuna, aty ku kelmendasit, mes privacionesh qe nuk rrefehen ne nje dite, jetojne te harruem nga qeverisja njekrahinore e Kryeministrit te 100 fshatrave socialiste.
I gjithe brezi i ri i larguar ne emigracion, kryesisht ne SHBA. Ne Kelmend kthehen vetem prinderit: nga muaji maj deri ne muajin tetor, brezi i trete kthehet ne trojet stergjyshore, ne nje “ritual” te pervitshem te mbajtjes gjalle te jetes, emrit, krenarise malesore dhe pasurise se trashegueme prej kohesh qe nuk mbahen mend. Askush nuk di cfare do ndodhe pas disa vitesh. Ne te gjithe Lepushen kane mbetur vetem tre te rinj, edhe ata ne pritje te gjetjes se menyres se emigrimit ne Token e Premtuar, qe prej dekadash ka hapur dyert e mikpritjes per malesoret, kendej dhe andej kufirit. Duket sikur nje politike e kamufluar dhe e koordinuar e komunisteve shqiptare ne Tirane me pushtetin malazez ne Podgorice, vijon t’ia ngushtoje qarkun e mbijeteses Malesise Shqiptare: izolim, privim te kushteve te jetes, papunesi, mungese investimesh dhe sherbimesh, diskriminim politik.
Edhe pse pjese e Shqipnise, territori nga Tamara ne Vermosh dhe nga Tamara ne Vukel, vazhdon te mos furnizohet me energji elektrike, nderkohe qe perfaqesuesit e OSSH vazhdojne faturojne panderprerje familjaret nga zyrat e tyre qendrore me shifra te larta, pa denjuar te verifikojne aparatet mates dhe pa respekt te fakteve te vendndodhjes se tyre. Nje veper penale qe askush nuk e ndeshkon. Te drejta civile qe askush nuk i mbron.
Kompanite celulare, pavaresisht detyrimit te mbulimit te te gjithe territorit te Shqipnise, Kelmendin e kane “harruar”.
Skemat e sundimit komunist dhe persekutimit punist te Tiranes zyrtare, ne periferine me te larget te Veriut, ne Kelmend, jane “perkthyer” ne nje perjashtim te te gjithe josocialisteve nga skemat e asistences sociale. Dhe duke qene se behet fjale per nje krahine qe historikisht ka rezistuar ndaj Sundimit te Bllokut, privimi nga mbeshtetja financiare dhe shendetesore e shtetit eshte gati total.
Dere me dere dje banoret me kane bere vetem nje pyetje:
SI ESHTE E MUNDUR QE VENDIN E DREJTON NJE KRYEMINISTER QE BEN TE KUNDERTEN E TE MIRES SE POPULLIT QE QEVERIS?!
Ka vetem nje pergjigje: eshte papergjegjshmeria e nje qenie politike, te perqendruar ne nje levizje te vetme me helikopter, nga Surreli ne Vlore, qe kujton se Shqiperia dhe lumturia e saj, duhet te programohet vetem ne nje kah dhe vetem per familjen e tij biologjike dhe politike.

Romeo Gurakuqi: Ministria e DAMIAN GJIKNURIT: e vendosur të shkatërrojë pasuritë natyrore të Tamarës dhe Selcës në Kelmend

VOAL – Deputeti i Shkodrës, Romeo Gurakuqi, i cili ndodhet këto ditë në këndin më verior të Republikës së Shqipërisë, poston këtë status ku shpreh shqetësimin ndaj shkatërrimit që po sjell politika e qeverisë Rama dhe ku përgjegjëse e drejtpërdejtë është ministria që drejton Damian Gjiknuri. Më poshtë po e botojmë statusin e plotë dhe fotot me të cilat shoqërohet:

Ministria e DAMIAN GJIKNURIT: e vendosur te shkaterroje pasurite natyrore te Tamares dhe Selces ne Kelmend.
Derrmim total i lugines se Cemit te Selces;
zaptim i prones private te banoreve te Kelmendit.
Prishje e plote e bazamentit te rruges nacionale qe lidhe Shkodren me Vermoshin;
Kush duhet ta ndale masakren mjedisore, te nje prej perlave natyrore te Shqiperise?!
Kush duhet ta mbroje pronen private te banoreve te Kelmendit, pasurine komunitare te nipave dhe sternipave te Prek Calit dhe te deshmoreve te tjere te rezistences ndaj agresionit te brigadave komuniste, nga vershimi i pronareve te rinj socialisteve ne Malesi?
Jo vetem Teatri Kombetar po shkaterrohet me PPP, por edhe luginat e Alpeve te Shqiperise. “Dora e zeze” e cunave te Bllokut po hyn gradualisht drejt “Amfiteatrit te Bjeshkeve te Namuna”, per ta shkaterruar.

Zbulimi i madh në Berat- Një “bazilikë” në këmbët e xhamisë Mbret

Një zbulim i rëndësishëm është bërë pranë Xhamisë Mbret në Berat. Bëhet fjalë për një mozaik që mendohet se i përket shekujve V-VI.
I pari që shkroi pak ditë më parë, ishte arkitekti Artan Shkreli, i cili përmes një postimi në profilin e tij në ‘Facebook’, shënonte se “mund të thuhet pa drojë se zbulimi i fundit në Berat është i një rëndësie vërtetë të madhe”. Ai fliste për një mozaik paleokristian në këmbë të Xhamise Mbret. “Është unaza që mungonte, në kuptimin e vazhdimësisë së jetës qytetare në Berat. Struktura ende e paqartë nga pikëpamja tipologjike (me gjasë një bazilikë) plotëson me praninë e saj pikërisht kohën kur ky qytet fillon dhe rimerr veten pas depresionit që karakterizon fundin e periudhës klasike dhe shënjon kalimin nga emërtesa e turbullt Antipatrea, në atë të re me apelativin ‘i Bardhë/i shndritshem = Pulher’, (emërtesë që do rezistonte deri në pushtimin bullgar, të cilët nga ana e tyre veç do përkthenin fjalë për fjalë Pulheriopolis në Beligrad)” shënonte Shkreli. Rëndësia e zbulimit bëhet më e qartë po të vëmë në dukje siç thotë ai se “mjerisht, përpara kësaj asnjë gjurmë nuk kishim pasur në territor nga Antikiteti i Vonë apo Mesjeta e Hershme, përpos një gjetjeje tjetër rastësore, lart në kështjellë, e cila konfirmon gjeografinë e konsoliduar të qytetit me lagje jashtë mureve edhe në këtë periudhë”.

“Mu për këtë është shumë i rëndësishëm”, thoshte Shkreli, -gërmimi i orientuar i lulishtes së Xhamise Mbret, në anët jugore e lindore të saj, duke sqaruar njëherë e përgjithmonë enigmat e shumta që shoqërojnë Beratin (emër gjithnjë autokton ky) në një hark të errët historik prej disa shekujsh”.
Ditën e djeshme, ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro bënte me dije se prej muajsh tashmë Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës, kanë hapur e ndjekin çdo ditë kantieret e restaurimit të 19 objekteve të kultit të besimeve të ndryshme fetare, nga Jugu në Veri.

“E bukura e restaurimit në pasuritë kulturore janë të papriturat që dalin nga shtresëzimet e monumentit, nën tokë apo nën suva, në themele apo në çati. Berati është një nga këto sëndukë me thesare që sfidon duke befasuar. Në themelet e Teqesë Helvetive dhe të Xhamisë Mbret, të dyja në restaurim të plotë, (krahas Xhamisë së Beqarëve, gjithashtu), kanë dalë në dritë struktura të hershme, të panjohura deri tani”,-theksoi dje Kumbaro.

Sipas saj, këto zbulime po studiohen nga specialistët e Drejtorisë së Kulturës Kombëtare në Berat dhe ato të Agjencisë e Shërbimit Arkeologjik, në vijim të vendimit të fundit të Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë për të shtrirë gërmimin arkeologjik në të gjithë sipërfaqen, përtej vijës së themelit të Xhamisë Mbret. “Në konsultim edhe me mbështetësin e pazëvendësueshëm të Trashë-gimisë Kulturore, Profesor Aleksandër Meksin e anëtarët e Këshillit Kombëtar të Arkeolo-gjisë, do t’u paraqiten publikut dhe profesionistëve rezultate më të sakta të këtij zbulimi. Deri atëherë gjithçka thuhet e lexoj lart e poshtë, mbetet vetëm hamendësim dashamirës e padurim i justifikuar i të apasionuarve për gjërat e bukur. Por as unë, e askush, nuk e fshehim emocionin që ngjall bukuria e mozaikut që shfaqet nën dhé, të cilit nuk do të ngutesha t’i vija asnjë epitet, por pa dyshim po përgatitemi për një destinacion të ri kulturor në hartën e Beratit. Kjo është pak, por e sigurtë!”, përfundonte ministrja.

MEKSI
I pyetur nga “Gazeta Shqiptare”, Aleksandër Meksi tha se mozaiku mund të datojë nga shek. I deri në shek. V-VI. “Në Berat po bëhen punime restaurimi në Xhaminë Mbret faza më e vjetër e së cilës është fundi i shek.XV dhe lidhet me ardhjen e Sulltan e Bajazitit të II më 1492. Pranë xhamisë është teqeja e fundit të shek 18. Po bëhen restaurime me subvencion të TIKA-s dhe Ministrisë së Jashtme të Turqisë. Qëllimi është për ruajtja e vlerave, konsolidimi, forcimi dhe ruajtja e vlerave të objekteve në kuadrin e vizitueshmërisë së Beratit dhe objekteve të veçanta. Gjatë punimeve të përforcimit të themeleve të xhamisë, doli një varr dhe një mozaik, me ngjyra të kuqe e të bardhë që shtron detyrën për gjetjen e planimetrisë së ndërtesës e datimin e saj”. Meksi shton se kjo, kërkon gërmimin jashtë mureve të xhamisë, rilevimin nga gjeologët me gjeoradarë, e duke punuar mbase të përfitohen të dhëna për muret e godinës.

“Godina mund të nisë në shek. 1 dhe deri në shek. 5-6. Edhe lart në kala kanë dalë mozaikë, qyteti ka ekzistuar. Ky është qyteti i poshtëm, ku ka pasur edhe ndërtime. Kjo është më interes. Ajo zonë është e mbushur me ndërtime. Është fragment dyshemeje, nuk e di nëse mund të ketë qenë bazilikë”. fa.ni.

Mish që rrezikon shëndetin, u shitej restoranteve dhe “Fast Food”-eve. Arrestohet tregtari nga Kosova

Nje shtetas nga Kosova eshte arrestuar ne Lezhe, pasi nje operacioni te policise, koduar  “Rotten meat”, pasi akuzohet se tregtonte mish në Shëngjin, në mënyrë të kundraligjshme jashtë kushteve të sigurisë ushqimore, duke rrezikuar shëndetin e konsumatorëve.

Policia ben me dije se jane sekuestruar 528 kg produkte mishi, të prodhuara jashtë kushteve të sigurisë ushqimore, si dhe në bashkëpunim me AKU Tiranë, u bllokua punishtja ku prodhohej.

Njoftimi i plote 

Nga efektivët e Seksionit për hetimin e krimit ekonomik – financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, pas një pune të mirëfilltë hetimore ndjekur me metoda proaktive, u finalizua operacioni ” Rotten meat”.

Si rezultat i tij, u arrestua në flagrancë shtetasi Arsim Çurdina, 55 vjeç, banues Kosovë.

Ky shtetas, në qytetin e Shëngjinit, me mjetin e tij, është kapur duke tregtuar në disa lokale një sasi prej 528 kg produkte mishi, të prodhuara në mënyrë të kundraligjshme në një ambient në Tiranë jashtë kushteve të sigurisë ushqimore, duke rrezikuar shëndetin e konsumatorëve, produkt të cilin, ia shiste restoranteve dhe ” Fast Food-ve” në Shëngjin, si dhe pa faturë tatimore , duke fshehur të ardhurat.

Vazhdojnë hetimet për dokumentimin e plotë të këtij aktiviteti kriminal, për të gjithë subjektet tregtarë dhe personat e përfshirë.

Veprat penale në ngarkim të tij ” Fshehja e të ardhurave” “Prodhim dhe shitja e ushqimeve e lëndëve të tjera të rrezikshme për shëndetin” Manipulimi i tregut” dhe ” Punësim i paligjshëm” parashikuar nga nenet 180/1, 288, 143/a/1 dhe 170/a të Kodit Penal.

Materialet proçedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.

DOSJA E PLOTË E PROKURORISË SË VLORËS PËR MASAKRËN E SELENICËS

ETLEVA DELIA/ Zbardhet dosja e plotë e Prokurorisë së Vlorës për masakrën me 8 të vrarë në Selenicë, për të cilën akuzohet 24-vjeçari Ritvan Zykaj. Sipas Prokurorisë, gjithçka ka nisur pasditen e së premtes, kur familja e autorit, xhaxhai, halla dhe kushërinjtë ishin nisur për një drekë familjare në shtëpinë e gjyshit të tij, Kujtim Zykajt.

Teksa shkonin te banesa e Kujtimit, nëna e autorit ka pasur një debat me tone të ashpra me një nga viktimat, Vasilika Zykajn, e cila më pas u vra nga Ritvani, bashkë me të shoqin e dy fëmijët. Në dosje theksohet se, para drekës, Vasilika ka kontaktuar duke i folur me tone të larta shtetases Lindita Zykaj, nëna e autorit, ku ka akuzuar të dy djemtë e kësaj të fundit si autorë të vjedhjes së disa pulave të detit, vjedhje e ndodhur sipas saj në të njëjtën ditë. Por brenda pak minutash situata është qetësuar, pasi nëna dhe xhaxhai i Ritvanit e kanë sqaruar viktimën, se djemtë nuk kishin lidhje me atë ngjarje. Më poshtë dosja e plotë e Prokurorisë së Vlorës, rrethanat e ngjarjes, denoncimi i saj në Polici, arrestimi i autorit dhe provat e administruara.

DOSJA E PLOTË E PROKURORISË SË VLORËS

Në orën 06:30 të datës 11.08.2018, Policia Gjyqësore ka kryer arrestimin në flagrancë të personit nën hetim Ritvan Zykaj, i biri i Sadik dhe i Lindita, i datëlindjes 16.06.1994, lindur dhe banues në Selenicë të rrethit Vlorë, me arsim 8- vjeçar, me shtetësi shqiptare, me gjendje familjare beqar, banues në lagjen “Resulaj”, Bashkia Selenicë e rrethit Vlorë, i arrestuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake”, të parashikuara nga neni 79/dh dhe 278 të Kodit Penal.

Nga studimi i të dhënave të dokumentuara nga Policia Gjyqësore dhe verifikimeve të bëra nga prokurori, rezultojnë këto rrethana për faktin, për gjendjen e flagrancës dhe rrezikshmërinë e të arrestuarit: Se, më datë 11.08.2018, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, mbi bazën e materialit hetimor të referuar nga shërbimet e Policisë Gjyqësore pranë Komisariatit të Policisë Vlorë, ka regjistruar procedimin penal nr.1434 për veprat penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake”.

Nga përmbajtja e materialit referues rezulton se, më datën 11.08.2018, ora 06:30, nga ana e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Ritvan Zykaj, 24 vjeç. Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi u kap në flagrancë për kryerjen e dy veprave penale të përmendura më sipër, që ka ndodhur në rrethanat si më poshtë: Më datë 10.08.2018, rreth orës 16:45, në lagjen “Resulaj” të Bashkisë Selenicë, shtetasi Ritvan Zykaj ka vrarë me armë zjarri në banesat e tyre shtetasit; Demir Zykaj, i biri i Nuredin dhe i Pashako, i ditëlindjes 1942; Perri Zykaj, e bija e Veli dhe e Bejushes, e datëlindjes 1940; Azem Zykaj, i biri i Demir dhe Perrisë, i datëlindjes 1969; Afërdita Zykaj, e bija e Dajlan dhe e Merushes, e datëlindjes 1971; Besim Zykaj, i biri i Demir dhe i Perrisë, i datëlindjes 1973, Vasilika Zykaj, e bija e Qemal dhe Bukuries, e datëlindjes 1978; Sara Zykaj, e bija e Besim dhe Vasilikës, e datëlindjes 2003 dhe Ledion Zykaj, i biri i Besim dhe Vasilikës, i datëlindjes 2010. Pas kryerjes së krimit, shtetasi Ritvan Zykaj është larguar nga vendi i ngjarjes së bashku me armën e krimit dhe gjatë ndjekjes policore në mënyrë të vazhdueshme dhe të pandërprerë, më datë 11.08.2018, rreth orës 04:30, pas negocimit u është dorëzuar forcave të Policisë, ku ka treguar dhe vendin ku kishte fshehur armën e krimit.

Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 14 gëzhoja të qitura nga armë zjarri e kalibrit 7.62 mm, një predhë, një fishek arme zjarri model 56, e kalibrit 7.62 mm. Gjithashtu është sekuestruar në cilësinë e provës materiale arma e zjarrit, automatik model 56, me numër 14230145, kalibër 7.62 mm, së bashku me 2 krehra automatiku model 56 dhe përkatësisht me 30 dhe 20 fishekë, si dhe një sasi prej 51 fishekësh model 56 të kalibrit 7.62. Në cilësinë e personit që kanë dijeni për rrethanat e hetimit janë pyetur shtetasit: Sadik Zykaj, Lindita Zykaj, Hoveljando Zykaj, Kujtim Zykaj, Bujar Zykaj, Spartak Hoxhaj, Pashako Hoxhaj, Olardio Hoxhaj dhe Fiqiri Serjanaj. Nga deklarimet ka rezultuar se më datë 10.08.2018, familja e shtetasit Bujar Zykaj, Sadik Zykaj dhe Spartak Hoxhaj, kanë organizuar një drekë në banesën e shtetasit Kujtim Zykaj.

Rreth orës 13:30, shtetasi Bujar Zykaj, së bashku me nipin e tij Ritvan Zykaj dhe pas tyre shtetasja Lindita Zykaj, së bashku me vajzën e saj Noçe Zykaj, janë nisur nga banesa e Sadik Zykajt për të shkuar te banesa e Kujtim Zykajt, ku do të zhvillohej dreka. Gjatë rrugës, shtetasja Vasilika Zykaj ka kontaktuar duke i folur me tone të larta me shtetasen Lindita Zykaj, ku ka akuzuar të dy djemtë e kësaj të fundit si autorë të vjedhjes së disa pulave të detit, vjedhje e ndodhur sipas saj në të njëjtën ditë. Në këtë debat ka ndërhyrë për ta qetësuar dhe shtetasi Bujar Zykaj dhe së bashku me Linditën dhe Vasilikën kanë shkuar te shtëpia e kësaj të fundit për të sqaruar mosmarrëveshjen nisur nga lidhja farefisnore që kanë midis tyre. Këtu Ritvani, së bashku me motrën e tij kanë vazhduar rrugën për te shtëpia e Kujtimit. Shtetasit Bujar Zykaj dhe Lindita Zykaj, pasi kanë diskutuar mosmarrëveshjen me Vasilikën dhe familjarë të tjerë të Vasilikës, i kanë sqaruar se djemtë nuk kishin lidhje me vjedhjen e pulave të detit dhe për momentin mosmarrëveshja është sqaruar qetësisht. Pas kësaj, Bujari dhe Lindita kanë shkuar te shtëpia e Kujtimit, ku do të zhvillohej dreka.

Gjatë drekimit familjarisht, ku vetë Ritvani është shprehur dhe është ankuar se shtetasja Vasilika Zykaj për çdo rast të tillë akuzonte atë me të padrejtë. Rreth 30 minuta para se të ndodhte ngjarja, Ritvani është ngritur nga dreka dhe është larguar nga banesa e Kujtimit. Familjarët që mbetën pasi mbaruan drekën kanë dalë në verandën e banesës, duke qëndruar aty dhe në këtë moment kanë dëgjuar disa krisma arme zjarri, të cilat vinin nga drejtimi ku ndodhet dhe banesa e shtetasit Sadik Zykaj, por nga vendi ku ndodheshin nuk mund të saktësohej vendi se ku po gjuhej me armë. Pasi krismat kanë pushuar, shtetasit Sadik dhe Lindita Zykaj janë larguar nga banesa e Kujtimit për në banesën e tyre.

Pak minuta pas largimit të tyre, shtetasit Olardio Hoxhaj, në telefonin e tij celular, në aplikacionin Mesenxher, i ka ardhur një video e dërguar nga shtetasi Ritvan Zykaaj, në të cilën shfaqeshin dy persona të shtrirë në tokë, në oborrin e banesës së shtetasit Demir Zykaj. Këtë video Olardio ia tregoi dajës së tij Bujar Zykaj dhe babait të tij, Spartakut, të cilët pasi e panë këtë video, shtetasi Spartak Hoxhaj i ka thënë djalit ta fshinte pasi pamjet ishin të rënda. Spartaku me familjen e tij është nisur me automjetin e tij për të shkuar në shtëpinë e tij në fshatin Panaja dhe gjatë rrugës nusja e Spartakut ka komunikuar në telefon me Sadikun, i cili në gjendje të rënduar psikologjike i ka pohuar asaj se djali i tij Ritvani kishte vrarë me armë zjarri shtetasit Azem dhe Afërdita Zykaj.

Komunikim telefonik ka pasur edhe midis Sadik Zykajt dhe Bujar Zykajt, ku sërish Sadiku i ka pohuar të njëjtat fakte atij. Në të njëjtën kohë, Sadik Zykaj ka komunikuar në telefon dhe me Policinë, të cilën e ka njoftuar për ngjarjen e ndodhur.

I pyetur nga prokurori në prani të mbrojtësit të caktuar, i arrestuari Ritvan Zykaj e ka pranuar faktin penal dhe ka shpjeguar mekanizmin e ngjarjes. Nga shpjegimet e dhëna përpara prokurorit, rezulton se vrasja ka ndodhur për motive të dobëta, duke marrë jetën e shumë personave.

Nga ana jonë janë kryer të gjitha veprimet e para hetimore dhe materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Vlorës në ngarkim të shtetasit Ritvan Zykaj, për veprat penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Mbajtje pa leje e armëve luftarake e municionit”. Për sa më sipër, ka të dhëna të mjaftueshme për të vlerësuar se ndodhemi përpara figurës së veprës penale të “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Mbajtje pa leje e armëve luftarake e municionit”.

A. Gjendja e flagrancës dhe kushtet e arrestit Në nenin 252 të Kodit të Procedurës Penale parashikohet se: Është në gjendje flagrance ai që është kapur në kryerje e sipër të veprës penale ose ai që menjëherë pas kryerjes së veprës penale ndiqet nga Policia Gjyqësore, nga personi i dëmtuar ose persona të tjerë, ose që është kapur me sende dhe prova materiale, nga të cilat duket se ka kryer veprën penale. Neni 251/2 i K.Pr.Penale, në të cilën thuhet: Oficerët dhe agjentët e Policisë Gjyqësore kanë të drejtë të arrestojnë cilindo që kapet në flagrancë për një krim me dashje, të kryer apo të mbetur në tentativë, për të cilin ligji cakton dënim me burgim jo më të ulët, në maksimumin 2 vjet.

Në rastin konkret, personi nën hetim është i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Mbajtje pa leje e armëve luftarake e municionit”, pasi ekzistojnë dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se shtetasi Ritvan Sadik Zykaj ka konsumuar këto vepra penale, pasi nga veprimet e tij të kundërligjshme ai ka vrarë tetë persona, të cilët kanë gjetur vdekjen e menjëhershme. Po kështu, ai është kapur me sendet provë materiale e më konkretisht me armën e zjarrit model 56, kalibër 7.62 mm, që është sekuestruar në cilësinë e provës materiale, sende me anën e të cilave ka kryer veprën penale. Nuk ekziston ndonjë shkak, ku të rezultojë se veprimi të jetë kryer gjatë kryerjes së një detyre ose gjatë ushtrimit të ndonjë të drejte të ligjshme ose ekzistencën e ndonjë shkaku pabesueshmërie. Përfundimisht, i kërkojmë gjykatës të vlerësojë si të ligjshëm arrestimin në flagrancë të personit nën hetim.

B. Në lidhje me kushtet për caktimin e masës së sigurimit dhe faktorët që mbahen parasysh. Nga shqyrtimi i të dhënave të dokumentuara nga Policia Gjyqësore dhe verifikimet e bëra nga prokurori rezulton se, arrestimi në flagrancë i personit nën hetim, i kryer nga oficeri i Policisë Gjyqësore është i ligjshëm, pasi është kryer në përputhje me nenet 251 e vijues të K.Pr.Penale.

1. Vepra penale, për të cilën dyshohet shtetasi është “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Mbajtje pa leje e armëve luftarake e municionit”. Sanksioni për këtë vepër penale është jo më pak se njëzet vjet ose me burgim të përjetshëm (Neni79/dh K.P.) dhe me burgim nga tre deri në 7 vjet burgim (Neni 278 K.P.). Për këtë arsye, arrestimi i të dyshuarit është bërë në përputhje me kërkesat e nenit 251/2 i Kodit të Procedurës Penale.

2. I arrestuari është arrestuar në gjendje flagrance, pasi është kapur nga agjenti i Policisë Gjyqësore menjëherë në kryerjen e sipërme të veprës penale. Për sa më lart, arrestimi i të dyshuarit është bërë konform nenit 252 të K.Pr.Penale.

Përveç sa më sipër çmojmë se ekzistojnë kushtet dhe kriteret ligjore të parashikuara në nenet 228 e 229 të K.Pr.Penale, që ndaj personit nën hetim të caktohet masa sigurimi me karakter shtrëngues.

1. Konkretisht, ekziston një dyshim i arsyeshëm i bazuar në prova, të cilat në unitetin e tyre krijojnë dyshimet se veprat penale kanë ndodhur dhe se janë kryer nga personi i arrestuar. Me dyshim të arsyeshëm do të kuptojmë që heqja apo kufizimi i lirisë personale të personit do të bëhet në rast se ka baza të forta për arrestimin e tij. Kusht i rëndësishëm është dyshimi i arsyeshëm, sipas të cilit askush nuk mund t’u nënshtrohet masave të sigurimit personal në qoftë se në ngarkim të tij nuk ekziston një dyshim i arsyeshëm i bazuar në prova.

2. Nuk ka shkaqe pandëshkueshmërie ose të shuarjes së veprës penale, pasi i arrestuari e ka mbushur moshën për përgjegjësi penale dhe është i përgjegjshëm para ligjit për veprimet e kryera, si dhe vepra penale nuk është parashkruar apo shuar në ndonjë mënyrë tjetër.

3. Ekziston rreziku që personi nën hetim të kryejë vepër tjetër penale të njëjtë me atë që dyshohet apo më të rëndë. Në rastin konkret, ekziston rreziku real që personi nën hetim të kryejë përsëri të njëjtën vepër penale si ajo që dyshohet apo një vepër penale edhe më të rëndë se ajo që dyshohet.

4. Në kërkesën lidhur me llojin e masës së sigurimit që kërkohet të caktohet, mbajmë parasysh propocionalitetin dhe përshtatshmërinë specifike të nevojave të sigurimit në rastin konkret me llojin e masës së sigurimit.

5. Në caktimin e masës së sigurimit duhet të kihet parasysh raporti me rëndësinë e faktit dhe me saksionin që parashikohet për veprën penale konkrete. Të dhënat dhe deklarimet e sipërcituara që i bashkëngjiten kësaj kërkese, mbështesin ekzistencën e dyshimit të arsyeshëm se ky shtetas është autor i veprës penale të “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Mbajtjes pa leje e armëve luftarake e municionit”.

Të gjitha këto rrethana e bëjnë të domosdoshme dhe në përputhje me nevojat e sigurimit, caktimin ndaj shtetasit Ritvan Zykaj të masës së sigurimit “arrest me burg”, që parashikohet nga neni 238 i K.Pr.Penale. Kjo masë është në përputhje me nevojat e sigurimit, rëndësinë e faktit të kryer nga i arrestuari, pasojën e ardhur dhe me sanksionin që parashikohet për këtë vepër penale.

Për këto arsye, bazuar në nenet, 228, 229, 230, 238, 244, 258 dje 259 të Kodit të Procedurës Penale, kërkojmë:

1. Të vlerësohet i ligjshëm arrestimi në flagrancë i shtetasit Ritvan Zykaj, i dyshuar për veprat penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Mbajtje pa leje e armëve luftarake e municionit”.

2. Të caktohet masa e sigurimit “arrest me burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, për personin Ritvan Zykaj, i biri i Sadik dhe Lindita, i datëlindjes 16.06.1994, lindur dhe banues në Selenicë të rrethit Vlorë, me arsim 8-vjeçar, me shtetësi shqiptare, me gjendje familjare beqar, banues në lagjen “Resulaj”, Bashkua Selenicë e rrethit Vlorë.


Send this to a friend