VOAL

VOAL

DIKU NË BOTË – Poezi të zgjedhura nga ALI PODRIMJA (28 gusht 1942-21 korrik 2012)

July 22, 2015
2 Comments
  • author avatar
    jerina 7 years ago Reply

    flm shum

Komentet

FITORJA QË THËRRET- Esé nga REX KASUMAJ

Verë, 2026

 

(Mbi efektin e saj përmasor në hapsinë arbnore dhe Europë)

Nuk dyshoja për asnjë çast në qëndrueshmërinë dhe kulturën atdhedashëse të Lëvizjes protestuese në Tiranë.

I druaja, megjithatë, kurtheve që mund të bluante mendjeliga e Edvin Ramës antikombëtar.

Ai, madje, i lutej paganisht dhe diellit për të djegur si një saç mbi Dhéun shqiptar që, ashtu, e sfilitur, Protesta ngulmëtare, Institucioni i saj popullor, tani 90 ditorë, të shthurej ngadalë.

Një pritmëri kotnare, aq unike dhe e pashpresë, për sojin e tij që rrëzimin e kanë fat të parashkruar përfundimtar.

E frymëzuar hyjnisht, Lëvizja, prandaj, ka lënë pas shumë motërzime bote për rezistencë ndaj Hajnisë dhe Tiranisë.

E tillë, gjallërisht e vendosur, rinia kryengritëse

ka hyrë në kronikat e ardhmërisë. Sepse, tashmë, është bërë leksion shkollor në literaturën politike të lirisë.

Shtegu i hapur thërret. Dhe fitorja poashtu. Më e afërt se kurrë…

Por arbnorët kudo në trojet e tyre dhe gjithandej rruzullimit, duhet të mbajnë sytë drejt Tiranës.

Dhe, pa u shmangur asnjëherë, të mbështesin fuqishëm me të gjitha mjetet e mënyrat, rininë vëllazërore.

Sepse ajo, e shenjta, përpiqet heroikisht për Kombin mbarë.

Pa Shqipëri të lirë, të kamur e të fortë, s’mund të gëzojë askush, asnjë shqiptar i vetëm jashtë saj…

Por dimensioni i Protestës, ndërkaq, që rrezaton kulturë e shpresë gjithandej, vete matanë rrethojës kombëtare.

Është një mision më i madh se Sheshi Skënderbe dhe më i lartë Alpet Shqiptare.

Ballkani ishte përherë një gur ku Europa zinte në thua e, shpesh, rrëzohej dhe, për t’u mëkëmbur, duhej shumë gjak i pafajshëm njerëzor.

Ndaj rënja e Ramës vetmon dhe rrethon të Keqen, regjimin fashistoid të Vuçiqit në Ballkan.

E rrethon, pra, me qeveri e shtete ku demokracia

rikthehet tek gurra e saj e kulluar.

Dhe e vetmon, sepse Serbia mbetet gropë e fundme e ujrave të zeza të Azisë në Europë.

A nuk shkruajnë shqiptarët e lirë, prorë e sërish, historinë e Europës?

Gjithsesi e gjithmonë!

R.

“Lulet” në “oborrin shpirtëror” të POETIT dhe Shkrimtarit  ADNAN  MEHMETI- Libri “Simfonia e udhëtimeve” – Esè nga Përparim Hysi

Më së fundi,Poeti dhe Shkrimtari ADNAN MEHMETI,vjen para lexuesëve me librin “Simfonia e udhëtimeve”. Për librin ka shumë nominime nga autorë të ndryshëm,por unë zgjodha një metaforë nga POETI SPANJOLL,LORKA(1898-1936) që ka thënë:”Çdo libër është një oborr.  Lum ai që di si ta mbjellë dhe me ato”lule” ushqen shpirtin e vet”. Kështu ndodh,faqe pas faqeje,në librin “Simfoni e udhëtimeve”. Autori “ushqen shpirtin e vet” dhe nuk kursehet që të na “ushqejë” dhe ne,lexuesit,me këtë nektarlulesh shumëngjyrëshe.  Ky”oborr” (po të futemi nën lëkurën e LORKËS,sigurisht) nuk është dhe aq i vogël. I madh si vet shprti i auorit dhe”lulet” janë shumëngjyrëshe.

                                                            *
Udhëtimi është i gjatë: përshkon Amerikën,Kanadan, Meksikën dhe kudo feksin përjetimet e autorit.  Përshkruan çfarë i sheh syri,por,tej realitetit, shquhet njeriu i penës:në prozë dhe,kur ky realitet prek “pejzat e shpirtit”, shpërthen me vargje. Duke e parë me këtë sy,hyj në hamendësime, dhe them:-Pse ndodh kështu? Dhe tak më vjen ndërmend thënia e NIÇE:-Kemi artin që të na shpëtojë nga realiteti. Autori në këto udhëtime,nuk është kronikan dhe aq. Në këto udhëtime ai është dhe historian, dhe arkeolog, dhe folklorist dhe,mbi të gjitha,POET që e shpirtëron mbresën nga një shtet në shtetin tjetër;  nga një qytet në tjetrin; nga një ishull,në tjetrin. Po të përdorja pak një gjuhë nga matematika,mund të them:” Emëruesi i përbashkët i gjithë këtyre udhëtimeve, është postulati:  Asgjë njerëzore nuk është e huaj për mua”. Dhe me të vërtetë:në këtë” Simfoni udhëtimesh” gjen histori si ato”vende e popuj”; gjen doke e  rite që nga lashtësia e deri në ditët tona. ADNAN MEHMETI  nuk është vetëm udhëtar,por një  studiues skrupuloz i historisë në vendet ku shkel.  Si krjues serioz, ai në këtë libër ka bërë atë që ka thënë ZARA MHIC (1927-1990),Doktoresha e Filologjisë nga ESTONIA që thotë:” Ja cila është detyra themelore e çdo njeriu të kulturuar: të mos lejoj që të zhduket ajo pjesë e historisë,dëshmitar i së cilës,ësht dhe vet ai”. Po,që nga lashtësia,PINDARI ka thënë;-Prova e çdo njeriu,qëndron në veprën e tij. Dhe vepra që po citoj,është si një dokument,ku shihet ashiqare: Poeti dhe Shkrimtari,ADNAN AHMETI.
                                                   *
Nga perifrazimeve drejt e tek libri.  “Vatra  e shkrimtarit,nuk është
shkolla,por njerëzimi,-thëtë EMERSON.Dhe autori,aty mes njerëzve,e ngriti këtë”simfoni” ku i gjen që të gjitha dhe mungon vetëm  muzika.
Fillon me MISISIPIN,gati lumi më i madh në botë, që ka qenë,së pari  port përskllevërit nga Afrika,por dhe më shumë se kaq…,tani tek autori,shpërthen poeti:” Për lumin e qeshur/ që u futet fushave,shtëpive e deri tek”gratë e përdala që qajnë për dashuritë e paputhura”. Në qytetin Xhekson “takon” Mark TUEN atë humorist aq të madh që veç”TOM Sojerit” e HEKËLBERt Fini ka lënë ca thënie shumë domethënëse dhe,ngaqë jam pak i dhënë pas tij,s’kam si lë pa përmendur;” Nga hidhërimi lind humori i madh” dhe tjetra:” Unë e di  që librat e mirë,janë verë,kurse të miat  janë ujë. Por shumica e njerëzve ujë pijnë!!!”
Në ÇIKAGO,në qytetin SULFUR:”Kujdes nga korkodilat”.Vendësit i pjekin në hell.
Në TENESI “takon” kënëgtarin famoz,ELVIS PRESLI dhe veç tij ,Doktor MARTIN LUTER KING që,pasi”Shoh një ëndërr” e pushkatuan në vitin 1968. Vetëm në vitin 1975,me dekret të Presidentit Xhonson,zezakët fituan barazinë me të bardhët(Ëdndra e DR:MARTIN LUTER KINGUT
Në  Arkansas një takim me PRESIDENTIN e shquar,BILL  KLINTON që saj tij,KOSOVA  fitoi pavarësinë. Prekëse” prishja e protokollt” për t’i shprehur mirënjohjen që ngre lart sa PRESIDENTIN,aq dhe miërnjohësin që ka gjakun nga ato treva. Në atë mori udhëtimesh,autori  Në Boston evokon figurën e NOLIT që”kurdisi” PRESIDENTIN UILLSON që një”zë” ta
kishte për të mbrojtur SHQIPËRINË. Diku flet për një PRESINDET tjetër si KEVIN KOLLIZH që në shtator të vitit 1928 ka ndihmuar MBRETIN ZOG për të ardhur në Fron/
Në Teksas, sa flet për”litarin e kaubojsit”,tak dhe qëndron tek një shtëpi vogël. Kjo shtëpi e vogël ka një histori të madhe.Në atë shtëpi të vogël në vitin 1836,dyqind burra nga TEKSASI,u vranë për liri.
Aty.i prekur në shpirt,shpërthe POETI:
_Një shtëpi e vogël,
E zhveshur nga mobiljet
Si një klithmë e madhe dëshmon…
Dhe hisori të tjera vazhdojnë:
Me poetin LOGFELLOY” ai që lufton luftën e lufton/,spas NOLIT për poemën për “SKËNDERBEUN”.
Poetin tjetër,EDGAR ALLAN POE me “Korbin” e tij.
*
Në  TEKSAS   ka  pasazhe nga takimi i parë i SHOQATËS së SHKRIMTARËVE SHQIPTARO-Amerikanë ku auori,u laurua me”Pena e artë” për poezi.Për mos u larguar nga ky moment,është vendi për një kortezi,për KALORSIN E POEZISË MBARËKOMBËTARE SHQIPTARE;GJEK MARINAJ(mtafora është imja) që në vitin 2001 e krijoi këtë shoqatë dhe, po GJEK MARINAJ zgjodhi PRESIDENT të SHOQATËS,ADNAN MEHMETIN dhe kryetarët e SHOQATËS,çdo dy vjet me qarkullim.
                                     *
Nuk munda ta mbyll  këtë ese time,pa qendruar në DETROIT apo Michigan jo vetm se ka një komunitet të madh shqiptarësh,por se attje është PJETËR JAKU me bashkëshorten ELINDA MARKU që mbajnë gjallë një bërthamë të madhe krijuesësh në prozë e  poezi.
“Simfonia” e Udhtimit,të ADNAN MEHMETIT vazhdon dhe me pasazhe të tjera,por unë” jam plak e jam zhgatërru/rrugët e gjata,s’janë për mu.”
I uroj autorit jo vetëm jetë të gjatë,por dhe krijmtari të mbarë!
                                                  Tiranë,25 gusht 202

Prof. Agim GJAKOVA – Mjeshtri i Rrëfimit dhe Vjershëtorit të Paepur, midis të Mundshmes dhe të Pamundshmes! Nga Raimonda Moisiu-SADE 

 

 

-Agim Gjakova, një Krijimtari pa Kufi…

Në pranverën e këtij viti, ndodhesha në Tiranë, dhe një telefonatë nga mikja ime e ndritur e fisnike, Kozeta Mamaqi, e cila më ftonte në promovimin e një serie veprash, prozë e poezi të autorit dimensional, mikut të saj, Prof. Agim Gjakovës!

“Takimi im i parë” me Prof. Agim Gjakovën e ka zanafillën në rininë time të hershme, kjo ndodhi krejt rastësisht, si një “bashkëbisedim intim” me poezinë dhe prozën e tij të shquar. Në atë kohë studioja në Gjuhët e Huaja, -në atë auditor ku vite më parë kishte kryer studimet e larta për Gjuhë dhe Letërsi Angleze edhe Profesori i nderuar.

Sa herë gjendem në atdhe ftesat për të marrë pjesë në promovime libri, i mirëpres me ndjesinë e një kënaqësie të vecantë të fuqisë së librit, sepse bën jo vetëm bashkë shkrimtarë, poetë dhe dashamirës të artit e letërsisë, porse ndjen atë lidhjen njerëzore dhe empatinë e pastër, për të përjetuar dhe kuptuar botën krijuese të dijes dhe respektit për autorin, mendërisht dhe shpirtërisht, një moment vlerësimi dhe mirënjohje edhe për ata që e duan dhe e shkruajnë letërsinë. Ftesa për promovimin e veprës së Prof. Agim Gjakovës ishte një mundësi harmonie, besimi dhe e shkëlqyer për të kaluar disa orë të këndshme, produktive e plot kulturë. Aty gjendeshin, bashkëbiseduan dhe vlerësuan letërsinë e Prof. Gjakovës plot shkrimtarë, poetë, publicistë të njohur, miq e kolegë të kahershëm e të rinj të tij. Secili prej tyre shprehte fjalën e tij/saj, për këtë njeri fisnik, modest e fjalëndritur, për letërsinë e tij të pasur, jo vetëm në sasi – mbi dhjetra e dhjetra libra të botuar – por edhe të realizuar denjësisht, cilësisht e krejtësisht të veçantë. Madje për Profesor Gjakovën u theksua se; “letërsia e tij meriton shumë më tepër vlerësim dhe vëmendje!”

Prof. Agim Gjakova është një nga figurat më interesante dhe jetëgjatë të letërsisë shqipe, ka një histori njerëzore dhe krijimitari të jashtëzakonëshme. Të shkruash dhe të sjellësh në vëmendjen e audiencës së lexuesve dhe kombit shqiptar, biografinë krijuese dhe bukurinë e gjuhës shqipe të pasur të prozatorit, dramaturgut, skenaristit, publicistit, dhe poetit Agim Gjakova, do të thotë të hysh në një botë ku arti i fjalës gërshetohet me thellësinë e dijes universale, që reflekton shpirtin e pathyeshëm rebel, prek zemrat dhe lartëson ndjenjën e përkatësisë kombëtare.

Udhëtimi krijues i shkrimtarit të shquar Prof. Agim Gjakova nis aty ku fillon kurreshtja jonë për letërsinë, që në bangat e shkollës, ai nuk u mbyll kurrë brenda një kornize të vetme, porse sfidoi veten dhe fjalën shqipe në çdo zhanër: Vjershëtor dhe Tregimtar, që preku shpirtin e lexuesit të ri dhe të rritur, Novelist dhe Romancier, ku ndërtoi struktura të ndërlikuara dhe personazhe të gjallë, Eseist dhe Studiues, që analizoi me mprehtësi shoqërinë dhe letërsinë, Folklorist i talentuar, ku mblodhi dhe ruajti thesaret e shpirtit popullor.

Prof. Agim Gjakova deri më tani ka botuar mbi 30-ë libra duke përfshirë dhjetra romane, romani i tij i fundit “I pabinduri”, dhe “E dashura e katër djemve”, e dhjetra e dhjetra përmbledhje me poezi, prozë, publicistikë, dhe vecmas në letërsinë dokumentare.

Ajo që e bën të veçantë profilin e tij është guximi intelektual, dhe mjeshtri i rrëfimit të një shpirti rebel të paepur, në çdo rresht të shkruar, ai ecën në fillin e hollë midis të mundshmes dhe të pamundshmes; si një mjeshtër i vërtetë i rrëfimit, ai arriti të kthejë vështirësitë e kohës në art të qëndrueshëm.

Prof. Agim Gjakova është një erudit, prozator profilik, dhe poet modernist, që nuk mjaftohet vecse me frymëzimin e castit dhe ndjenjat personale, ai ndërton urat mes epokave, lidh të shkuarën klasike me shqetësimet moderne të kohës që ai jeton, ndërton urat e komunikimit përherë “Në kërkim të së vërtetës”, mes poezisë, prozës, publicistikës, filozofisë, historisë, mitet e lashta dhe heronjtë. Ritmika dhe ngrohtësia e stilit të tij krijues, reflektojnë shpirtin e pathyeshëm dhe lidhjen e vecantë me Atdheun dhe Historinë, kompromisi që ai ka bërë me admiruesit e shumtë të veprës së tij.

Në letrat shqipe, kombëtare, ballkanike dhe ato ndërkombëtare, figura të tilla emblematike si Prof. Agim Gjakova, përfaqësojnë panteonin e mendimit human, qytetari, dije dhe mëncuri, që shpalosin një erudicion të jashtëzakonshëm. Sinteza e lirizmit poetik dhe letërsisë dokumentare në veprat e Prof. Agim Gjakovës përfaqësojnë modelin unik në letërsinë bashkëkohore shqipe, që harmonizojë dy pole shpesh të largëta: lirizmin e thellë dhe saktësinë dokumentare.  Gjakova nuk mjaftohet me pasqyrimin e ftohtë të fakteve, ai i vesh ato me një ndjeshmëri të lartë njerëzore, që ngjarjet reale të mos mbeten thjesht kronika, por të kthehen në përjetime shpirtërore për lexuesin. Si një shkrimtar që dëshmoi dhe krijoi nëpër faza vendimtare historike, Gjakova shërben si urë lidhëse mes tri epokave: Historisë modern, ku vendoset baza e stilit të tij- realizmit socialist, prej nga trashëgon vëmendjen ndaj kontekstit social dhe letërsisë postkomuniste, ku fiton lirinë e plotë të shprehjes dhe analizës objektive. Kulmi i tij pubicistik dhe artistik identifikohet në fushën e letërsisë dokumentare, një “gërshetim hibrid” mes letërsisë artistike -fantazisë dhe ndjenjës- dhe asaj dokumentare -faktit dhe dëshmisë -mbrohet nga një aureolë e fortë integriteti professional. Prof. Agim Gjakova na dëshmon se e vërteta historike dhe bukuria estetike mund të bashkëjetojnë pa e cënuar njëra-tjetrën.

 

-Metafora e Shpirtit të Lirë dhe Rebel, që nuk u përkul kurrë në  “Vargje Gjakoviane”.

Të jesh poet apo vetë termi poezi në kuptimin thelbësor të fjalës, nënkupton atë që ta shohësh botën me ndjeshmërinë e bukurisë të një shpirti artistik, ku cdo përjetim apo emocion njerëzor buron nga ndjeshmëria impulsive e shpirtit të lirë, talentit dhe pjekurisë artistke, e cila ekziston brenda gjithckaje njerëzore dhe në akord me lirinë e të shprehurit shndërrohet në një poezi gjallëruese që shkon përtej vargjeve të shkruara. Mes dhjetra vëllimeve me poezi unë zgjodha të analizoj atë – i titulluar “Poezia 19”, të prozatorit, dramaturgut, skenaristit, publicistit, dhe poetit të shquar të kombit, Prof. Agim Gjakova,

Struktura e këtij vëllimit poetik është ndërtuar në cikle të ndjeshme përmes emërtimeve metaforike dhe numerike, që mbartin një peshë të madhështisë simbolike dhe filozofike. Cikle poetike që përfaqësojnë një nga shtyllat më intime dhe më dramatike të lirikës së poetit, ato mbartin një peshë të rëndë biografike, duke pasur parasysh se poeti jetoi nën dy diktatura dhe u dëbua nga Kosova në Shqipëri, ku u përball me izolim dhe përndjekje. Vëllimi përmban poezi lirike, me ton qytetar, intelektual, patriotik, kujtime, mall, dhimbje, dashuri, të cilat shprehin ngazëllimin dhe enthusiazmin e një komuniteti të brishtë, në rastin tonë si te vëllimi poetik “Poezia 19”, një fitore e arritur në liri, progresin social, romantizmin, frymëzimin e frymëzuese, deklamimin e bukurisë shpirtërore e trupore në vjershërimin klasik.

Çdo cikël poetik përfaqëson një temë të vetme në lidhje me Prof. Agim Gjakovën si individ dhe si poet i një shpirti të trazuar dhe kryengritës, i cili ka sfiduar regjimet dhe ka vuajtur përndjekjet, kjo eksperiencë jetësore reflektohet thellësisht në strukturimin e poezisë së tij.

Eksperiencat jetësore dhe përkushtimi krijues, si ciltërsia e ndjenjave, humbja, dhimbja, vetmija, dashuria, shpresa, intimiteti, ngazëllimi apo enthusiazmi- këto sentimente të jetës, -poeti e ndjen të nevojëshme t’u japë zë duke i hedhur në vargje e poezi. Poezia e Prof. Agim Gjakova është rrëfyese, -jo abstrakte-ajo del nga realiteti aktual i botës që jetojmë dhe thjeshtësia e jetës së përditshme. Gjenialiteti i ambicies së tij si poet balancohet nga një ndjenjë e ftohtë absurditeti, me shkëndija talljeje të butë me veten, nga muzat, meditimet dhe spekulimet rreth jetës, gjërat e përjetëshme të ekzistencës humane, – jetës e vdekjes.

Veprat poetike të tij janë madhështore, pa hezitim po përdor termin “vargje gjakoviane”, ku përfshihen poezi lirike, erotike, poezia e dashurisë për atdheun, Shqipërinë e Kosovën, për vendlindjen dhe poezi me tematikë sociale, historike dhe refleksive që amplifikojnë stilin ekspresiv të dhimbjes së bukur –dashurisë! Poeti Gjakova blasfemon në emër të instiktit njerëzor, me konceptimin mistik të lexuesit për botëndijimin, botëperceptimin dhe arritjen e një poeti të shquar, duke e vendosur madhështinë e epikës reale, përmes integritetit të gjuhës së pastër, strukturës fizike dhe kulturës thellësisht poetike që dëshmohen prej secilit cikël në kontekstin e poezive.

Libri nis me poezinë lirike e titulluar  “Gruas sime”, autori përshkruan karakterin e zgjuar, dhe të ngrohtë – por edhe të sertë, të një gruaje të bukur fizikisht, unike, vitale dhe shpirtbukur, -një grua e mrekullueshme për ta pasur pranë edhe në kohë të vështira; “shigjetim i agut nëpër këto vite të gjatë/ ndërsa qielli im ishte fytyra jote nëpër hekura/ hapësira më mbeteshin buzëqeshjet e tua të rreshkura”.

Forca frymëzuese dhe shpërthyese e Gjakovës është e ndërthurur me kujtimet personale, dhe përfaqëson një nga simbolikat më intime dhe dramatike të lirikës së tij, për të shprehur atë universalen, ekzistencën e burrit dhe gruas–dashurinë dhe frymëzimin!

Në këtë cikël, figura e gruas ngrihet përtej një subjekti të thjeshtë lirik dhe romantik, ajo shndërrohet në një simbol të mbijetesës dhe besnikërisë. Gjakova shpërfaq një ton intim, të drejtëpërdrejtë dhe jashtëzakonisht të sinqertë, -të zhveshur nga patetizmi. Prof. Gjakova e di fare mirë se njerëzit fillojnë të mplaken kur heqin dorë nga dashuria, andaj ai i lutet bashkëshortes: “Buzëqesh edhe njëherë për mua”- me një gjuhë e ndjenjë të ngrohtë por të përzishme, ku dashuria shërben si e vetmja strehë përkundrejt egërsisë së botës së jashtme; sepse  “drita mbi fytyrë tremb terrin e egër në një skutë/ dhe vështrimin e luanit dalngadalë me zbutë”, – për të shprehur atë universalen, ekzistencën e burrit –dashurinë, vazhdimësinë e jetës.

Kjo është edhe arësyeja pse Prof. Gjakova zhvendoset nga vargu në varg në cdo moment të ditës, sepse poeti dhe gruaja, dashuria e jetës së tij, aty gjejnë vetveten; “buzëqesh edhe njëherë për mua, /si një karvan thneglash mendimet ma pickojnë trurin, / helmin ma thith si shpendi kokërr për kokërr gruri.”

Këto vargje të mirë-vendosura në strofë, i japin rrjedhë procesit të transformimit të dukshëm; mendimi e ndjek këtë proces-në fakt e nxjerr dhe e prezanton atë, – si një kompleks mamorfozash të imazhit që është treguar. Kursi logjik i këtij transformimi që ndihet shpesh si një ndjenjë faji të pafajshëm i poetit, i cili, për shkak të idealeve dhe fateve të tij politike, e ka ekspozuar edhe qënien e saj më të shtrenjtë ndaj stuhive të jetës, në përpjesëtim të vetë ndryshimit.

Në poezinë  “Gruas sime”,buzëqeshja” shpreh optimizmin dhe forcën për t’i mbijetuar errësirës së jetës, është një metaforë e fuqishme që përcjell mesazhe shprese, intimiteti, dhimbje dhe trishtimi të përmbajtur dashurie. “Buzëqeshja” nuk është thjesht një shprehje fizike, por një dritare shpirtërore që zbulon kontrastin mes botës së brendshme të poetit dhe realitetit.  Për të sfiduar padrejtësitë, dhe fatin e tyre, Gjakova fsheh një plagë e dhimbje të madhe shpirtërore me një qetësi therrëse, ironie e revolte, ai shpreh ngrohtësi, afrimitet dhe magjinë e çasteve romantike; “buzëqesh edhe njëherë për mua, /le të më lëvizin ngjyrat përtej kohës më thellë, /ah cfarë ndjesish, vrullesh, shpërthimesh të valëta ndjell!”

Poezia “ Gruas sime” kontraston “për një buzëqeshje gjithkujt ja kam zili”, / -teksa gjen ngushëllim me bukurinë dhe ndjenjë përhershmërie në “buzëqeshjen dhe sytë e gruas së tij”, vend ku “vecse ai mund të hyjë”, ngaqë “ka vite zemra e ka harruar atë stoli!” Prof. Gjakova na sugjeron se kujtimet, vizionet dhe ëndërrimet, ofrojnë strehë nga kalimi i kohës dhe përkohshmëria e jetës, porse ato nuk do të vdesin kurrë!

Secili cikël poetik si bosht strukturor ka simbolikën e numurit “Shtatë”, përdorimi i përsëritur i këtij numri nuk është i rastësishëm. Në letërsi dhe mitologji, ky numër përfaqëson plotësinë, ciklin e mbyllur kozmik (shtatë ditët e krijimit) dhe transformimin e plotë, ndërsa Poeti Gjakova, përmes këtij numri, ndërton një univers poetik të mbyllur dhe të vetë-mjaftueshëm. Në mënyrë të ngjashme, stili i shkrimit të Gjakovës është një strukturë pothuajse ritualistike, i thjeshtë, i shkruar në vetën e parë dhe pothuajse bisedor e lidhur me numrin “shtatë”-mitologjik dhe biblik që e con lexuesin në zbulimin e jetës së tij, përpjekjet me makthin e historisë e atdheut, që përfaqëson kulmin e tronditjes ekzistenciale dhe kombëtare të autorit.

Përmes cikleve; “Shtatë Ditë”/ “Shtatë Net”/- numuri “shtatë” është ura lidhëse midis reales dhe mitikes, që Poeti Gjakova luan me dualitetin Ditë/ Natë/, kalimin nga errësira e natës, ku dhimbja dhe makthet gdhihen te zgjimi i ditës, dhe shpirti dërgohet sërish në frontin e përballjes me realitetin e vështirë.

Në poezinë e titulluar “Nata e shtatë – (“Ëndërrimi i Shtatë”) –Nata dhe Ëndrra, janë hapësira ku poeti gjen lirinë absolute për të dëgjuar “të gjithë zërat” e shtypur nga realiteti. Andaj poeti përdor elemente të natyrës si “lumi” për të përshkruar zërat e brendshëm të njeriut; gurgullon, këndon, mallkon, grindet; “Disa thonë se lumi gjëmon, /se gurgullon, /se cicërinë, /se këndon/ se tallet, / se zemërohet/ se flet përcart, / se mallkon/ se grindet, /se përkëdhel, / bie në gjumë, / ku ta gjej atë lumë, /t’ia dëgjoj të gjitha zërat.”

Cikli “natë-ditë” na tregon se krijimtaria e Prof. Gjakovës refuzon të mbetet statike; ajo është në lëvizje të përhershme, ashtu si vetë natyra. Nata” lidhet me ëndërrimin, meditimin, kujtimet e hidhura të së shkuarës dhe zërat e brendshëm, ndërsa “Dita” sjell zgjimin, përballjen me realitetin e vrazhdë dhe dërgimin e shpirtit e të zjarrmisë drejt qiellit e botës së prekshme, një përballje ekzistenciale me të vërtetën.

Ciklet poetike: “Shtatë Lule” / “Shtatë Puthje” paraqesin esencën e shpirtit të lirë dhe botës shpirtërore më lirike, më intime dhe më filozofike të Gjakovës. Ato shpërfaqen si një dialog me veteveten që merr formën e monologut intim – gërshetimin e ndjenjës së thellë mes dashurisë njerëzore; “puthjet” dhe bukurisë shpirtërore të natyrës;  “lulet” që paraqesin sinqeritetin emocional dhe një raport mbi strukturën e ciklit mitik dhe ritual, të numurit “shtatë”. Metafora të fuqishme që simbolizojnë bukurinë, rritjen shpresën, lidhjen njerëzore dhe rilindjen e natyrës së ndjenjave. “Shtatë Puthje”, një titull metaforik e lirik që kapërcen erotiken e thjeshtë, ato janë ura mes dy brigjeve (sipas Jakov Xoxes te “Lumi e vdekur” – “Një e puthur mbyll dy brigje e cel dy zemra”) -që nuk janë vecse akti fizik njerëzor, por një element mistik, që përfaqëson shtatë pika takimi midis shpirtit të poetit dhe botës, pajton shpirtin e Gjakovës me fatin, dhe njerëzit që e rrethojnë.  “Shtatë Puthje” këtu shndërrohen në një bekim ekzistencial, në kërkimin e dashurisë dhe të paqes pas një dëshpërimi apo traziatje të gjatë shoqërore e personale.

Puthja është dashuri, dhe paqe që vjen pas stuhive të jetës; “Po puth tokën…/ Po puth detin e shkumëzuar. / Po puth pyllin, /Po puth pragun e shtëpisë, /Po puthë vreshtin, /Po puth shtegun e fëmijërisë, / Po puth fotografinë e nënës.”

“Shtatë Lulet” simbolizojnë zvetënimin, bukurinë, por edhe brishtësinë e jetës e të memories. Çdo “lule” është një stacion poetik që prek një dimension të veçantë të jetës: dashurinë, vendlindjen, vuajtjen, besnikërinë dhe qëndresën.

Ciklet poetike; “Shtatë Rrezatime” / “Shtatë Udhëtimet” mbartin një peshë të rëndësishme simbolike dhe filozofike, mëncurinë dhe shpirtin e poetit; rrezatimi nënkupton energji, dritë, zgjimin intelektual dhe filozofik si një strehë shpirtërore për të gjetur qetësinë dhe përfaqësojnë pastërtinë, rininë dhe mbijetesën e shpirtit njerëzor përballë dhunës, shtypjes dhe persekutimit;

Vargjet e “Shtatë Rrezatime” janë simbole të dritës dhe dijes, rrezatime të mendimit të lirë, dhe shpresës që depërton përmes errësirës;  (Syzeza)…

Kall pyllin, /copëton hënën, /ndrit yllin. / (Harkvetulla)…ma skizon një rrudhëz, / si zbulim marramendës. / (Buzëkuqja)… ma mpreh dëshirën, / m’i shti ethet, / …në vorbill ngacmimesh. / (Qafëgastarja)…e ma hedh tutje mugëtirën, /ma vërtitë tërë rruzullimin. /

Ndërsa te cikli “Shtatë Udhëtimet”- madje poeti e shoqëron edhe me nëntituj sikundër  – “Vesi im i parë/ dytë/ tretë/ katërt/ pestë/ gjashtë/ dhe shtatë në shpirt” – shpreh përshkallëzimin emocional të tij që mbart pjekurinë shpirtërore, sekretin dimensional të dashurisë dhe dhimbjes njerëzore. “Vesi” është dialogu unik dhe lirik i ndjenjës, rrugëtimit shpirtëror të vazhdueshëm i poetit mes udhëtimeve dhe endjes së tij; “në mbretërinë e amëshuar të ndjenjave”/… porse….”nuk ndalet së udhëtuari” derisa -“dhe gjej shëmbëllimin e dashurisë”-vargëzon poeti.

“Vesi” nis nga i pari që shfaq pikënisjen e ndjenjës, pafajësinë, fëmijërinë ose shkëndijën e parë të vetëdijes, tek “i dyti” takimin me dashurinë apo botën që e rrethon, “i treti” kulmon me ndjenjat rinore, zjarrin e brendshëm dëshirat dhe energjinë krijuese, “I katërti” na rrëfen pikën e kthesës, “I pesti” reflekton; urtësi, vështrimin te vetvetja, pranimin e fatit të jetës ashtu sikundër vjen –ai fat i shkruar diku në “të tretat e lindjes, e ardhjes në këtë botë”, derisa arrin atë pjekurinë e stuhive emocionale te “Vesi i gjashtë” përtej reales, materiales, mistikes, artit dhe lirisë së plotë shpirtërore.

Te “Vesi i shtatë” arrin paqen absolute, mes hyjnores, njerëzores dhe përjetësisë së kujtesës.

Cikli “Shtatë Udhëtime” simbolizon vlerat njerëzore, që lidhen drejtpërdrejtë me kalvarin, persekutimin politik e social, sakrificat për të qenë i lirë, për të vërtetën e madhe, identitetin, kujtesën, integritetin dhe dinjitetin kombëtar. Poeti udhëton përmes krahëve dhe mëndjes së shëndetshmë, për t‘i gjetur kuptimin e jetës, drejtësinë e lirinë absolute në një botë të trazuar përtej mureve të censurës.  “Shtatë Fluturime” reflektojnë aftësinë e poetit Gjakova për t’i kthyer përvojat personale në përvoja universale, kombinimi i artit me filozofiken, artistiken, psikiken dhe shpirtëroren, lirinë e shtegëtimit të pandalshëm të shpirtit njerëzor drejt të panjohurës dhe të bukurës, ku fluturimi shihet si një mjet për të kapërcyer kufijtë dhe izolimin. Te cikli “Shtatë Tundime”, Prof. Gjakova shpërfaq dualitetin njerëzor midis rënies –tundimit- dhe ringritjes, përplasjet në jetë me dobësitë e veta, dëshirat, sfidat e brendshme, dilemat morale dhe vuajtjen ekzistenciale, përmes sprovave historike dhe politike që ka kaluar autori dhe populli që nga izolimi, përndjekja dhe mbijetesa.

Te “Shtatë Ligjërime”, Prof. Agim Gjakova shquhet për ndjeshmërinë ndaj fateve historike, social-politike të atdheut që përbëjnë edhe një shtyllë kryesore të motiveve e përvojave të tij. Poeti komunikon me figurat historike dhe mitet historike për të gjetur forcë; mali, shqiponja dhe shkëmbi shërbejnë si simbole të paluajtshmërisë, të identitetit, kthimin tek rrënjët, për të kujtuar historinë, gjuhën dhe trashëgiminë etnike, cdo “ligjërim” është një akt rezistence intelektuale dhe qytetarie!

Te  “Shtatë të Dhimbëshmë” -poeti Gjakova ndërton një monolog të brendshëm mbi dhimbjen e tokës, duke përdorur metafora të natyrës, lumi që gjëmon apo mallkon, malet, breshëri për të pasqyruar trazirat e shpirtit jo vecse të tij, por të cdo bashkëatdhetari. Cikli poetik i dhimbjes fillon me poezinë “Dhembja e parë” (NANA) -ja si vargëzon poeti;

“…më dridhen buzët”, / më njomen sytë, / më shungullojnë veshët, / më meket goja.”

Në mënyrë të ngjashme, stili i shkrimit të Prof. Gjakovës është informal, i thjeshtë, i shkruar në vetën e parë dhe bisedor; “të thërras e nuk më përgjigjesh, /drithërimë, zjarrmi, ftohtë akull, / ngarend, të të arrij, /por/ooo…/është hija jote bir.”

Poeti Gjakova shpërfaq atë që kritikët e quajnë “poezi me këmbë në tokë, troç dhe pa doreza”, ai shpreh dhimbjen për fatin e Kosovës dhe Shqipërisë, duke goditur hipokrizinë shoqërore, humbjen e vlerave njerëzore dhe deformimin e idealeve të lirisë nga udhëheqësit analfabetë apo tradhtarët, siç e thotë te “Dhimbjet nuk mashtrohen si njerëzit”.  

Përmes gërshetimit të dy cikleve; ”Shtatë Ligjërime“/ “Shtatë të dhimbëshme”, Gjakova vendos një ekuilibër me elementet mitike, dhe paktin e shpirtit intim, melankolik, reflektiv, herë-herë rebel, e i guximshëm, herë-herë provokues dhe reformator, i fenomeneve të jetës, plagët që mbart një popull, dhe duke shtrytëzuar verbin poetik, me energji shprehëse, intensitet të vrullshëm, shqipton me zërin e vet poetik, lirik dhe estetik; zërin dhe dinjitetin që nuk lejojnë tjetërsimin e tij. Kjo dyshe poetike mbetet një dëshmi e fuqishme e mbijetesës shpirtërore dhe kombëtare.

Te cikli “Shtatë të Kundërta” simbolizon filozofinë e kontrasteve të mëdha të jetës dhe realitetit politik e shoqëror, mes të mirës e së keqes, dhe pavarësisht “të kundërtave”, cikli përçon mesazhin e nevojës për ekuilibër dhe zgjim shpirtëror të individit dhe kombit.

Cikli  “Shtatë Vrragë”, vetë fjala “vrragë” nënkupton një shenjë, plagë të mbetur apo gjurmë vuajtjeje. Ato tregojnë se çdo sakrificë ka lënë një gjurmë të pashlyeshme te poeti dhe tek identiteti kombëtar, duke kujtuar burgjet, persekutimet dhe dhunën e genocidin etnik.

Cikli “Shtatë Nostalgji” përfaqëson botën e ndjeshme, shpirtin e lënduar, dhe fyerjen e inteligjencës së poetit.

Prof. Gjakova e kthen mallin (nostalgjinë) për tokën për shtëpinë, prindërit, rrugicat me kalldrëm të Çarshisë, shokët e rinisë, lirinë e humbur, dhe për njerëzit që e rrethonin, -në durim, kurajo dhe frymëzim, për të mbajtur gjallë identitetin kombëtar. Nostalgjia këtu nuk është thjesht një ndjenjë passive, lirike, erotike apo romantike, por një formë rezistence shpirtërore, që poeti nuk mund ta shohë e prekë, andaj e sjell atë përmes vargjeve.

Cikli “Shtatë cilësitë” – paraqet karakterin e fortë dhe qëndrestar para furtunave dhe stuhive të jetës; “Shpartalloj të gjitha shpikjet e së ligës, / me detin e përballimit”/ – dinjitetin e ndërgjegjes së poetit; “ a më thoni ku shitet ndërgjegja, /t’i shpenzoj edhe paratë e fundit, / t’ua dhuroj dykëmbëshve që u dridhet dora!”

Krenaria alias (burrëria) është motiv tejet i fuqishëm që paraqet lidhjen me rrënjët, vendlindjen dhe identitetin, andaj poeti Gjakova vlerëson dhe mbron vlerat, traditat dhe historinë e popullit të tij: “ ta vështroj dreqin në sy, / ta dridh dheun si tërmet, /…”më falni njerëz, / që nuk linda nga balta”!

Prof. Gjakova është mjeshtër i artikulimit të integritetit emocional, moral dhe atij artistik që krijon një harmoni të plotë midis vlerave që vetë poeti ka në jetën reale dhe vlerave që ai mbron përmes vargjeve të tij.  Prof. Gjakova shkruan me vërtetësi, sinqeritet të plotë dhe pa kompromise, ai i qëndron besnik zërit të tij unik, përshkruan ndjenjat njerëzore, gëzimin, dhimbjen, vret frikën ashtu sic janë në të vërtetë, pa i zbukuruar apo ekzagjeruar ato në mënyrë të rreme. Bota poetike e Prof. Agim Gjakovës konsiston në vizionin, shpirtëror, real e virtual të ekzistencës humane, e arësyeshme brënda përmbajtjes gjenetike nga tradita e besimi, hapësira e koha, në të cilën krijon atë lidhjen e fortë të besimit midis vetë atij dhe lexuesit, duke e bërë poezinë të ndihet e gjallë, e fuqishme dhe e pavdekshme; “askush s’mund të ma lëvrojë qenien /…”më falni njerëz, / që nuk linda nga balta!”

Poezia e Prof. Agim Gjakovës funksionon përmes kodeve numerikë, dhe metaforave të shumta, -kur ai ndërthur jetën-lulet, ndjenjën-puthjet, dhe dritën –rrezatimet, -poeti me mjeshtëri artistike e filozofike ndërton një manifest të qëndresës shpirtërore, duke na rrëfyer se pavarësishit kalvarit të netëve të gjata të vuajtjeve e sakrificave, njeriun gjen forcë dhe energji të rilindë e të zgjohet…

Poeti Agim Gjakova flet qartshëm për kufirin midis artit dhe jetës, ku iluzioni bindës i artit lëkundet. Poezia e tij eksploron tensionin midis natyrës së përkohshme të ekzistencës fizike dhe cilësisë së qëndrueshme të ëndrrave, të cilat mund të ofrojnë ndjenjë përhershmërie dhe arratisjeje.

Nuk gjej mënyrë si t’ua fshij fëlliqësitë,  – dhe na lejon të shohim diçka që lëviz rreth realitetit dhe imagjinatës;  “vec t’i përcoj në hapësirë, / t’i pranojë ndonjë planet i marrosur.”

Vargjet e cituara më lart flasin për dëshirën e poetit për t’u shkëputur nga vuajtjet njerëzore dhe për të gjetur qetësi në natyrë. Kjo poezi pasqyron një melankoli të thellë për ikjen nga realiteti i lodhshëm.

Titujt numerikë dhe metaforikë dëshmojnë se njeriu, pavarësisht copëtimit shpirtëror apo thyerjeve historike, kërkon gjithmonë një strukturë dhe një pikë zgjimi për të gjetur kuptimin e ekzistencës së tij.

 

-Prof. Agim Gjakova: Historia dhe Atdheu, –Një Trashëgimi që Vazhdon edhe Sot…

 

Poeti i shquar Agim Gjakova i ka kushtuar një vëmendje të admirueshme gjuhës shqipe jashtëzakonisht të pasur, të pastër, të drejtpërdrejtë dhe të punuar mirë, “me këmbë në tokë”, por thellësisht figurative. Ai nuk përdor një thurrje klasike rime; ai preferon vargun e lirë por me një ritëm të brendshëm të diktuar nga anafora dhe paralelizmi strukturor. Ndarja në kapituj numerikë i jep librit karakterin e një obelisku letrar, ku çdo varg mbështet tjetrin.  Stili i tij i veçantë letrar ndërton një urë të natyrshme komunikimi midis dy dialekteve kryesore të shqipes. Struktura gramatikore, zhargoni dhe shtrirja gjuhësore, koha e foljeve dhe drejtshkrimi i fjalëve, tregojnë se autori ka njohuri të shkëlqyera e profesionale të gjuhës shqipe.  Origjina dhe jeta e tij mes Kosovës e Shqipërisë, arësimin e hershëm e kryen në vendlindje –Kosovë- dhe pas dëbimit të familjes së tij, ai mbaron studimet e larta në Universitetin e Tiranës, për gjuhë e letërsi angleze, më pas ai punoi për dekada si redaktor e skenarist, që e bënë Prof. Gjakovën zotërues të shkëlqyer të toskërishtes dhe gjuhës standarde, dhe një mbrojtës të flaktë i pastërtisë së gjuhës shqipe, që shmangte fjalët e huaja të panevojshme duke shfrytëzuar burimet e brendshme të të dy dialekteve.

Si në poezi e prozë, Prof. Gjakova nuk e braktis forcën, ritmin dhe leksikun e gegënishtes, porse ai e pasuron atë me strukturën dhe butësinë e toskërishtes. Romanet dhe poezitë e Prof. Gjakovës përherë hapin dyert, dhe përherë mbërrijnë te lexuesi. Ajo që shkëlqen në krijimtarinë dimensionale të tij, është pasioni i përjetshëm i Prof. Gjakovës për poezinë dhe letërsinë. Pasioni i tij i paepur dëshmon se letërsia e mirë i mbijeton çdo stuhie, një trashëgimi që vazhdon edhe sot, kur kthejmë kokën pas në udhëtimin e tij krijues, shohim një monument të pasur letrar. Për shumë breza lexuesish, emri i tij nuk është thjesht një emër në kopertinë, ai është një udhërrëfyes përmes botëve të ndryshme letrare.

Figura e vlera kombëtare dhe historike të tilla si Poeti e Shkrimtari i Shquar Prof. Agim Gjakova, duhet të vlerësohen më krenari e dinjitet kombëtar, për artin dhe kulturën, letrat shqipe dhe brezat e ardhshëm, ai na mësoi se shkrimtari nuk është thjesht një vëzhgues, por një dëshmitar i epokave dhe kohës së vet.

I mencur, i matur, aktiv dhe me një shpirt të madh, edhe pse me nëntë dekada mbi supe, Prof. Agim Gjakova vazhdon të na japë vepra brilante nga shpirti, talenti dhe pasioni i tij krijues, – shpirtin e tij të lirë dhe rebel, që nuk u përkul kurrë, përherë në emër të humanes dhe dashurisë njerëzore.

Prof. Agim Gjakova mbetet një personalitet shumëdimensional që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në kulturën tone.

Vepra e Trashëgimi e tij jeton e plotë, duke frymëzuar sot e kësaj dite brezat e ardhshëm, dhe studiuesit e historisë kombëtare.

Raimonda Moisiu-SADE

Author/Freelancer

Gusht, 2026

Jacksonville Florida USA

SHUPLAKA AJRI- Tregim nga RUZHDI GOLE

Gjithçka rrëmbehej nga shprazja, shkundja, shkulja. Ato i ‘epnin dorën njera – tjetrës mes rrebeshit e erës, frymonin vrap sëbashku, rrxoheshin, gjakonin, rrjep’ gjunjët, “oh, o,le, le,le…” Shiheshin vranët sysh, qafoheshin, aty ia mbathnin tej, më poshtë, tejposhtë, tërpjetë.
    Këtu lart, nga ngrehina e pyjeve po shihja me tejkqyrë dy njerëz qull, mbështjellë me mushama të gjata e të tejdukshme duke ngarë rrotakët në ngjitje. Ndalnin, zbrisnin prej tyre, i merrnin rrotakët përdore.
Çfarë po sheh ?- më pyeti Lil Pisha.
-Dy njerëz.
-Ç’njerëz ?- u habit Sotir Juga.
-Moti sonte, është qamet- foli Gjergj Mugullti.
Eh, nga këto dalldi e huqe shqyerje degësh do ketë sonte – pëshpërita unë. Në pyll mund të bjerë edhe zjarr – ngrita zërin.
   Ne për zjarrin do natonim aty në këtë qamet. Nata zbraste veç shkrep’tima. Herë do flinte njeri, herë tjetri. Po të binte zjarr duhet të lajmëronim zjarrfikëset në Himarë dhe ata pak punëtorë të pyjores që jetonin gjys’ ore larg. Nga këtu, zbritja malore rrallë e ndonjë motori e kishte të lehtë ecjen e saj me kërcitje hovi.
     Po ngjitja, ngjitja e paparë e këtyre dy frymorëve ?. Nga vinin ata ? Nga rrugë e gjatë nisur me diell, mot të mirë, të trazuar.? Përse ecnin këndej mes shtrëngatës? Për herë të parë, ndoshta…
Njeriu gjithë jetën ecën,- mendova.  Njeriu ecën edhe kur ndalet, ecën brenda vetes me qarkullimin
e gjakut, me mbibluarjet e stomakut dhe me pikën helmët verdh t’mëlçisë, flatrat e mushkërive me dhe pa njolla të mugëta.
      Pastrova tejkqyrën nga avulli i ngrohtë i ngrehinës, trokita me gishtat e mi xhamin e dritares. Po vështroja përsëri jashta me tejkqyrë. Frymorët hipur mbi biçikleta ngriheshin pak nga shalët e rrotakëve për ta nxitur për më tej ecjen, picërronin sytë të shihnin përpara. Aty – aty i mbanin rrotakët përdore. Mua më dukej se ata ecnin edhe kur ndalnin pak e shiheshin sy ndër sy, (ndonse nuk i shquaja vështrimet e tyre). Ecnin, ecnin edhe të përqafuar.
Ç’njerëz të marrë, të marrëzishëm… Nuk do munden, kurrë s’do mundet ta ngjisin malin sonte në majë as deri në mes, – mendova një çast, vetëm një çast. Megjithatë, gjersa ecin, ata ngjiten -…përsëdyta.
U nisën me diell dhe i zuri rrebeshi ? U dogji keq dielli e u shkrepi guximi për t’iu afruar rrebeshit? Gjer ku jeton guximi njerëzor? Jeta është gjilpërë magnetike. Ndonjëherë gjilpërë e zakonshme. Tek vrima hollake ajo ngadalë, shpejt, vetëtimthi shkon perin e fortë, i cili endet më tej, mund të këputet më tej.
     Shkundullima me vetullat e egërsuara t’erës dukej më e stolisur flokëkërleshur. Shkulja gjithë vrull po rrokullisej gropash që hapte vet duke shkul rrënjë gjer në rrënjë. Shakatë e vjeshtës dredhira plot me erëshira i njihja prej një jete qysh në pyjet e Kuzhnenit. Ato më gëzonin farepak. Njësoj edhe këtu, vranohet shpejt, shpejt plas rreziku më i bëftë kryeneç i përmbytjes. Mali duron shumë, mban gjithçka mbi vete, gënjehet nga ndonjë çast i qetë, muzgon përgjumsh. Pa prit’ e pa kujtu’ malit ia rrëmbejnë gjithçka nga kryet : erërat, retë nevrike, ftohmën, gurë e rrënjë e i zbrazin ato gjarpërisht nga shpatullat, gjoksi e kofshët, kupat e gjunjve dhe shputat e tij gjer tek rrëza e gurtë, aty ku prehen buzët e fushës së Dukatit. Fusha mbështillet me to dhe ngre sytë e mekur përpjetë sikur i qahet
malit për ftohmën e saj. Mali njerin sy e njerin vesh i ngre për qiell, syrin dhe veshin tjetër i kthen nga fusha.
Poshtë jetojnë të tjerë njerëz, – mendoja qetë. Janë fusharakët ngjit me brigjet e tutje tyre më  poshtë akoma, asnjëherë t’poshtë, dallgëzon deti ynë, më lundruesi det fëminor e i thinjur i Mesdheut.
-A duken ata ? – më pyeti Sotir Juga.
-Ata nuk janë të padukshëm, po i shoh  me tejkqyrë. Po mundohen të ngjiten.
-Ç’të marrë qënkan! Po sikur t’i zerë …
-E ke fjalën për frikën, për ndonjë rrufe.?
-Ndonjë rrëshqitje nga errësia e skëterrrshme. ?
     Frymorët ecnin. Më këmbë, vetëm dy në gjithë atë hapësirë drithëruese. E pabesueshme të takonit të tjerë përpara, më e pabesueshme t’u vinin të tjerë pas. Përreth, siç duket, tani gjurmon përsëri vetëm frika, e cila duke u mbajtur e drithëruar sa në një degë pishe në tjetrën gjeti një farë guve, hyri brenda, u mbështoll mirë e mirë me qyrkun e vet, ra të flerë.
     Ne tymosnim fjalë e duhan, tymoseshim duhan e fjalë brenda ngrehinës së pyjeve duke i rënë heraherës me gishta xhamave ngricë. Tek-tuk binin thonj të këputur ngricash. Ndonjëherë i vërvisnim sytë tej-tej xhamllëkut të shihnim jashtapërjashta. Ç’shihnim në atë mjegullnajë ku edhe tejkqyra, here-herë dukej e verbër.? Menjëherë sytë ktheheshin, hynin brenda zgavrave të tyre dhe nga aty shihnin retinat e hirta të njëri – tjetrit. Syve, ndonjë rreze, u mbeti jashta. Ato rreze shihnin më me ankth dhe më gjatë frymorët. Ata u përqafuan, u puthën, sikur t’ishin në një lëndinë a në një breg. Në një lëndinë e në breg ku hijeshia dhe valëzimi rrokin njera – tjetrën. Po fantazoja për njerëz, tipare brenda ngrehinës gjithë harta natyre. Sa herë i shihja këto harta ato s’më dukeshin të hirta bardh’zi por më të gjelbërta si sonte përreth një shpuze lëngjesh e fjalësh vatrës brambullitëse. Dritat e biçikletave, afërmendsh, mardhnin, rrotakët jo aq ngaqë ecnin, fërkoheshin në rrugë e ngroheshin duke kërcyer rropthi – gropthi, o,le,… le….le…
…qënkan të marrë – tha Sotir Juga.
…dhe të guximshëm – foli Lil Pisha.
…guxim marrëzie, vet qameti – e mbylli këtë tjerrje Gjergj Mugullti.
Nisa të ligjëroja :
Ecja dhe rreziku përhera janë bashkë, o njerëz, në të njëjtin rrugë.
S’e di si më shkrepi ky mendim.
– …ecja dhe rreziku afrohen.
…ecja në këtë qamet është vet rreziku – zëri i Lil Pishës.
…rreziku mund t’ia këpus këmbët…- zëri i Sotir Jugës.
…këmbët ecjes – nxitoi fjalëve Gjergj Mugullti.
Ecja është e dhembshur. Sa për rrezikun s’di ç’të them…- ua ktheva të treve.
    Pamë njeri – tjetrin ballas. U tërhoqa pak mënjanë, trokita gishtat mbi xham me i plasarit njëçikëz thonjtë e ngricës. Pastrova tejkqyrën, sytë e mi. Po këqyrja  prapë… Vetëtimthi shquajta dritat e një autokolone të ushtrisë, e cila dukej hijerëndë veshur me mushama të murrme nate. M’u  bë sikur hapësira malore jashta trandej e gjitha mbështjellë me një kapotë të stërmadhe. Kapota qullej rrebeshëm nga shiu dhe kafshohej nga ujqërit e murlanit. (Ç’poetikë ?!!)
    Ushtarë, helmeta, topa, kaluan pranë ngrehinës, nuk i i hodhën as sytë. Ndoshta fare pak e panë kërcuqen tonë, ndoshta donin të ndalnin pak aty, fare pak të ngroheshin, por gjithçka e tyre po turfullonte tani fitore në të përpjetën dinake të Llogarasë.
…një jetë mbaruar ushtrinë, dyzet vite shkuar…- kujtoj Lil Pisha.
…tridhjetë vjet mbaruar fakultetin, – kujtoj Gjergj Mugullti.
…njëzet e pesë i martuar – kujtoj Sotiri.
Unë ç’të kujtoja më parë ?
Po ata dy frymorë sa mote udhëtonin bashkë ?
I shoh, i shoh,..u përqafuan, po puthen, më duket po brohorasin, kërcejnë, po qëllojnë njeri – tjetrin me shuplaka ajri,
…shiko, shiko, i ngritën në ajër rrotat e… – fola në brofje e sipër unë.
…sa shumë u ngazëllyen… – më ndërpreu Lil Pisha.
…nga i sheh ti, o largpamës ?- bëri shaka Gjerg Mugëllti.
Panë ndoshta dritën e ngrehinës sonë – e mbylli tjerrjen Sotir Juga.
Unë pa e hequr tejkqyrën nga sytë.
-…janë afër. Patjetër do rrijnë këtu sonte. Do të darkojmë bashkë me ato që kemi.
Ne që jemi brenda kësaj ngrehinë të zjarrtë i njohim paksa fytyrat e tyre. Arritën çka donin? Majën nuk mund ta arrijnë sonte, as gjysmën e Llogarasë, por ecën aq sa deshën. Nuk u rrëzuan, s’u kthyen mbrapsht… Gjersa ecin ende ata ngjiten… Ata po afrohen, u afruan.
Tani, tej nga poetika, po i shoh më kthjellët të sapo ardhurit.

Inspirime bjeshkore: Tri poezi nga TAHIR BEZHANI

MËNGJESI NË BJESHKË

 

Te kroni i ftohtë  në Bogë

Herët lava sy e faqe

Aromë pishe, ndieja freskun shpirtëror

Me ujë u ngopa si deve për rrugë të gjata

Shikimet prekshin majave të kaltërta

Zemra buçiste me ritmin e lodhur

Në lartësi një shqiponjë krahapur

Notonte në qiellin e kaltër pafund

Liri pa kufi ndieja në shpirtin tim

Ëmbël më frymonte  bjeshka

Si kurorë nusërie në stinën  verore…

 

 

 

 

 

 

VALLJA E KETRAVE

 

I shtrirë në barin e njomë

Ajri i pishës më përkundte gjumin

Një valle ketrash atje mes dy pishave

Ndiqnin njëri tjetrin me shpejtësi

Grimconin ushqim me dhëmbët e mprehur

Sa maratonë e këndshme  loja e tyre

Sytë nuk i ndaja nga ajo valle e hareshme

Degëve të  larta të pishnajës së gjatë

Gjumë i ëmbël më kishte vjedhë ditën

Ketrat kishin mbaruar lojën e ditës

Ora kishte shpejtuar ecjen

Ditë e bukur shkoi me shpejtësi

Nata çapit kujtimet në heshtje

Nuk dij a flëjnë  edhe ketrat…..

 

 

 

 

VIJA AEROPLANËSH NË QIELL

 

Qielli i kaltër ngjante si syprinë deti

Kur shikoja lart nga  një pllajë e gjelbër

Grafik vizatuar  nga tym aeroplanësh

Rrugëtimeve të meridianëve të botës

Mendimeve të mia ziheshin hallet e jetës

Në heshtje grindesha me dreqin e të birit të dreqit

Faji jetim rrugëve të botës  mbetur

Përplasej ndërgjegjes së sëmurë njerëzore

Sa gjatë shikova qiellin e kryqëzuar

Të tymosur me helmin e teknologjisë së përsosur

Nata në  bjeshkë më mbështolli në gjirin e freskisë

Ika nga një botë në tjetrën…

 

Ëndrrat rreth  mendimeve si xixëllonja vere

Shtrëngoja dhëmbët, përtypja asgjënë

Vijat e tymit nga qielli ishin tretur

Mendimet ishin shkrirë në gjumin e natës

As lehjen e qenve  nuk e kam dëgjuar

Në mëngjes rreze dielli përmes vrimave

Preken bebëzat e mia të  hareshme

Ditë e re, hap i ri, larg ecje ditore…

 

 

Rugovë, korrik, 2026

Jargët e “qenit të LEKOS” – Tregim nga Përparim Hysi

        Unë,sapo kisha vajtur në atë  kolektiv. Qemë gjithësej 10-mësues dhe qeshë i vetmi jabanxhi. Ngaqë partia e pushteti popullor,kishin zbuluar që unë qeshë me “ftomë në biografi” më solllën këtu,gati 70-km larg shtëpisë. Ky qe fshati i fundit dhe,tej këtij,po të bëje qoftë dhe dy çapa,shkelje tek një fshat që i përkiste rrethit të Tepelenës. Pra nga Fieri në Tepelenë. Epo do ta hedhësh “vallen” sipas muzikës së kohës dhe jo vetëm u paraqita në punë,por mundohesha të punoja me përkushtim siç kisha bërë ato pesë vjet. Kolegët qenë njerëz të  mirë,hiq drejtorin që kishte”porosi të veçantë” për mua. E mbaj mend që ka qenë ditë e shtunë në shtator të vitit 1964. E shtuna më kujtohet,se kisha një javë pa vajtur në shtëpi dhe,sa të mbaroja mësimin,t’u hipja këmbëve (duhet të bëja gati 5-km në rrugë fshati) për të zbritur  në xhaden kryesore për makinë.  Makinat vinin nga Tepelena,të ngarkuara me qymyrin e Memaliajt dhe do ishe me fat,në gjeje vend,pas orës 13,00,kur dilja unë, pas mësimit.
*
Nxënësit janë rreshtuar dhe,tek po bëheshim gati të hynim nëpër klasa,FATUSHJA,kolegia jonë,tha:- Po vjen “qeni i LEKOS”. Këtë sikur ma tha në intimitet. Unë hodha sytë nga rruga dhe i them:-Moj FATUSHE të mbetët humori në buzë,por nuk shoh ndonjë qen gjëkundi, Ajo:-Ai po vjen,por ti do ta njohësh,kur të kafshojë!!! Vërtet që  erdhi,por jo”qeni i LEKOS”,por qenkësh doravet,inspektori. Drejtori e priti me duar në qafë dhe urdhëroi:- Mësimi do të fillojë,kur të thotë inspektori. Ndërsa po prisnim për të filluar mësmin, drejtori  më thirri, më njohu me inspektorin. Ky tërë kapadaillëk, më tha:-Orën e parë do të vij tek ti.
-Mirëse të vish, ( për pak desh shtova:-Mirëse të vish,o “qeni i Lekos”).  Hyri dhe tek u ul në bankën e fundit me drejtorin, po vëzhgonte punën time.Qëlloi  të kisha një poezi të DRITËROIT për Enver Hoxhën,ku spikaste një varg:”… se nëna ime i dha bukë me dhall…”.Natyrshëm,hyra në lëkurën e poetit,kur e recitova dhe nxënësit u bënë sy e veshë. Mbaroi ora dhe,ashtu kalimthi,m’u duk sikur mbeti i kënaqur. Kur mbaroi dhe ora e fundit,unë mezi prisja të nisesha për në shtëpi,por i kisha bërë hesapet,pa e pyetur hanxhinë. Mësuesi “dezhurn”,kur u futëm në sallën e personelit,tha: -Me urdhër të inspektorit, në  orën  dy pasdite, do bëhet mbledhja e këshilit pedagogjik. Sa tha këto fjalë,kur dha ballë inspektori dhe drejtori. Unë,ngaqë isha i vetmi jabanxhi,i them:
-Shoku inspektor,unë kam një javë pa vajtur në shtëpi dhe jam dakord me të gjitha ato që do thuhen në adresë time.
Por ky  (ka thënë me vete: ky me”ftomë” do më jap mend mua) e kish marrë “lincencën” jo se kish qenë ndonjë mësues i mirë, por qe familje dëshmori dhe unë(po dihet:me ftomë nëbiografi),dashka dhe favore.Dhe menjëherë,ma vuri kufirin tek thana.
-Me demek,paske një javë dhe nuk begenis të vish në mbledhje. More, (tani i fryjti bulçitë mirë), e njeh vetën kush je? Apo jo? Ti jo vetëm do rrishë në  mbledhje,por do shkosh në shtëpi kur të dua unë apo drejtori. Pashë që drejtorit i  qeshi buza. Hodha sytë nga FATUSHJA që sikur më thoshte:-Hë,e njohe tani”qenin e LEKOS”?
Sa pashë që shijuan perversitetin për të treguar fuqinë e tyre,harruan vetëm një gjë të vogël:- Unë vërtet qeshë me”ftomë në biografi”,por nga natyra jam shumë impulsiv dhe,për t’u nxjerrë pak atë”kënaqësi përverse,shpërtheva:- Kush do më pengojë mua për të shkuar në shtëpi,ti (iu lëshova inspektorit) që me je si një goriilë.Po  ç’ne goriilë?Ty,po të pa gorilla në rrugë,do të kapë me grushta se i  shpërfytyron pamjen dhe mos fol,se e ngrita këtë karriken dhe ta theva kokën. Ngrinë që   të dy”të fuqishmit” dhe,për ta shtendosur gjendjen,hodha xhaketën mbi sup dhe i mbaj mend mirë fjalët e fundit që thashë në atë shtator 1964:- Kolegë qofshi mirë dhe.sa për ju të dy:-Mos ua pafsha bojën! Ika dhe nuk u ktheva më.
                                                     *
Por kjo histori nuk mbaron me kaq.  Unë,pa kësaj përplasjeje me”qenin e LEKOS”. ika ushtar dhe bëra tri vjet. U lirova në dhjetor 1967 dhe më 1968 qeshë emëruar në,fshatin tim të lindjes,në PETOVË të FIERIT. Pikërisht,në këtë vit”qeni i LEKOS”(kështu po e quaj  tani), qe kuadër me përgjegjësi  të lartë (mbulonte sektorin ideologjik),kishte po atë pamje prej goriilleje,por tani flokët si gjemba iriqi i kish lyer me brilantinë. Me”pompë” erdhi në PETOVË dhe,ngaqë diskutohej për problem të mprehtë,uurdhëruan që  të merrnim pjesë të gjitë mësuesët. E pashë tek pozonte dhe prapë m’u kujtua FATUSHJA:-Po vjen “qeni i LEKOS”!!! Sidoqoftë ,u bënë shumë debate dhe,më së fundi, shkoi ujë në”mullirin e partisë”. Një nga ata që e”vaditi”qeshë dhe unë. Mbaroi mbledhja dhe,tek po dilnim,ai më thirri:
– Mos je ti i “asaj kohe”?
-Unë jam.
-Qenke bërë djalë i mirë!
-Unë i mirë kam qenë…
                                                      *
Dhe “qeni i LEKOS” bëri vetëm përpjet. Ai nuk lihte,por kafshonte.Kur  them kështu,më kujtohet një thënie e MERILIN MONROS që ka thënë:” Nuk kafshojnë qentë,por njerëzit”,  Saj këtij”kafshimi”,ai kaloi në Ministri të Mbrendshme dhe qe nga “solistët” e golgotës kundër të ashtuquajtur puçistë nga Mehmet Shehu e më tutje.
Bëri zullume të mëdha dhe,kur erdhi demokracia i vunë prangat.  Aty nga viti 2015, e pashë në një nga rrugët e Tiranës. ishte  i shpërfytyruar dhe nga buzët e trasha,i rridhnin jargët. Duket e meritonte atë nofkën  që i kishte vënë FATUSHJA:”qeni i LEKOS”!
                                 Tiranë,23  gusht 2026

 CIFLA- Prozë nga RUZHDI GOLE

-Shërbëtor, o vëlla, shqepu me të ngrënë, mbllaçit sa të duash, mos më vidh.!
-Faleminderit, zotni, faleminderit, unë nuk vjedh, unë marr për nevojë atë që dua…
-Mos merr asgjë pa lejen time! Dëgjove? Pastroji veshët, o kukudh !
-Faleminderit zotni, faleminderit! Po unë nuk e njoh kukudhin.
-O kokëgdhë,… të plaçin kokërdhokët, të plaçin! Nuk e njeh kryeofiqarin tonë ?
-A,aaaa… e njoh, e njoh, i bëj pazarin çdo mëngjes. Ç’t’i them prej teje, më falni, prej jush kur ta takoj?
-O pleshtamadh, ç’t’i thotë shërbëtori zotërisë? Eh, ku më mbive, o kukudh?
Si çdo ditë mbij me dy këmbë e dy pëllëmbë.
-Hiqmu sysh, dreq…i mbarë !
-Zotnia juaj, ju jeni me dhjetë gishta a me dhjetë duar ?
-O guak, o guaku im, shih gishtrinjtë e tu pis, thonj, plasa.
-Eh, janë gishtat e fatit, përsëprapthi.
-E, pra, nuk të shava kur të thirra kokëgdhë. Mund të ishe gjithçka, tani s’je asgjë.
-Këmbëvrap jam, më i mirë, më i shpejti e më i padukshmi në qytet. Marr e shpërndaj lajme gjithandej nga ura e Dajlanit tek Currilat, nga porti në Porto Romano, nga këneta, nga pisllëku.
Tjetri zgurdulloi sytë.
-Ti, zotnia im, prej meje merr vesh ç’bën bota, si e gdhin kjo botë.
-Të rejat që krisin, kush leh, kush na kafshon veç qenve i marr vesh para teje – iu gjegj menjëherë i zgurdulluari teksa e dëgjoi plot habi.
-Ooo, ç’më the ? Ti, i hipën motorit tënd e fluturon sa tek fabrika, sa tek banka, sa tek tatimet.
Syzgurdulluari shastisi fare.
-Ti përhera më ndjek mua nga pas ?
-Nuk ndjek askënd unë, jo. Mua më ndjekin çdo ditë policë. Nam të madh kam.
-Eh, turpi yt,…
-Ç’turp, zotnia jote ? Vodha, shplava burgun, tani jam i lirë. S’e mbaj më hajdutin me vete. Ti, rrofsh, më bëre me shtëpi.
-Shtëpia s’është vetëm e jotja. Po të vdesësh ti para gruas tënde ajo merr shtëpinë. S’u mendova fare kur ta dhashë ty.
-Lëre vdekjen në qoshenë e vet. Ta gëzoj ajo shtëpinë… !
(Zotnia e donte përkrahësin e vet. Aty i dhimbsej, aty e shante, aty i jepte hakun, aty ia përfliste.Po pse mendonte kaq shpejt për vdekjen e tij ? )
-Pastromi çizmet vëlla.
-Siurdhëron, kryeofiqari im, siurdhëron!
-Pastaj bëma xixë motorin.
-Siurdhëron,…
-Pastaj ….
-… të të pastroj hejbet poshtë ?…
(Ne, me njeri – tjetrin, afrohemi prej gjakut edhe ndahemi prej tij, afrohemi farefisni e një barku.
Shumojmë e pjestojmë ditët tona, blejmëshesim, japim me qera shtëpinë, shitoren, tokën. Njerëzit, herë – herë, e ndajnë kafshatën me njeri – tjetrin. Gaveta e ditës i ngop, nuk i ngop varfanjakët. Diku gaveta boshatiset nga gjuha që lëpin, diku thërrime tepëron.
Të qetë, grindavecë, shpesh kërcënonjës, të kërcënuar ne jetojmë përkrah njeri – tjetrit…sa më larg syve…)
-O vëlla shërbëtor, nesër në mesditë, do të vij tek fabrika kryeofiqari ynë.
-Ç’do kukudhi tek fabrika, zotnia im?
-Do të pres shiritin.
-Shiritin e kujt? Unë nuk di asgjë.
-Shiritin e bustit. Duhet pak art në hyrje të fabrikës. Në kujtim të gjyshit dhe të atit.
Të dielën në gjashtëdhjetë vjetorin tim do festojmë të gjithë tek Kodra e Kuajve.
-Gëzuar zotni, o vëlla!
-Në të vërtetë ai nuk është busti im. Më ngjan mua. Herë më duket se jam unë aty, herë sikur iki me vrap gjithandej rrotull fabrikës.
– Ç’më hutove zotnia im, ç’më hutove.
– Nuk është busti im i gjithi. Më ngjan.  Ç’është e vërteta po s’më ngjau mua kujt do t’i ngjaj ?
(Eh, bela e madhe me këto buste. Një s’gjen vendin e vet. Nxitimthi e venë aty ku i merren mendtë. Nga nguti i vendit dhe i padurimit ndihet ngushtë. Dikush tjetër rrokulliset sa andej-këndej. Një tjetër bust fle prej kohësh në ndonjë haur. Fle aq gjatë sa vështirë t’ia pastrosh sklepat po doli ndonjëherë që andej.
Diku një bust i ngjan e s’i ngjan dikujt. Veliera pa dallgë mrrudhet. Sfinksi, shkallë – shkallë, gunga – gunga përpin e shkërrmoq  perëndimet mbi det.
Sa i pafundmë Deti – Krishti ynë ujor ! Po pse e qarkojmë me tela, me harqe?
Bindem se amfiteatri, teatri me emrin Aleksandër, shëtitorja ” Moikom Zeqo ” jetojnë plot frymëmarrje aty ku prehen.)
*
    Njeriu i panjohur po shkundej i gjithi akoma. Baltovinë, currila uji, shkurre. I pa të dy : si zotninë, si shërbëtorin. Iu tymos mendja. Donte t’i takonte. Po sikur të mos takonte asnjerin prej tyre veç t’i dëgjonte akoma?
Shihte shërbëtorin, ai i shfaqej aty për aty edhe zotni, shihte pasunarin me toka e fabrikë, ai i shfaqej shërbëtor. Njeriu i padukshëm i njihte të dy i kishte t’afërm, shumë t’afërm, por ndërkohë një jetë pa u parë ata iu bënë paksa të mjegullt.Më shumë mjegullorë tani.
Po si i njohu të vetët vetmuar gjatë prej tyre ? I (pa) njohuri erdhi nga nëndheu me mall për t’i takuar të tijtë. I pa të dy, i dëgjoi qysh nga fjala e parë.
(T’i gëzohemi botës së njeriut a njeriut përballë botës? Ç’ka duam e mbjellim në jetë a ia rrëmbejmë jetës me thonj?-
belbëzoj njeriu i padukshëm nga të vetët.)
Oooo, ç’paturpësi, oooo, oh-belbëzoi veç për vete. Gulçi iu bë grackë, rrëmujë, pështymë, gëlbazë dheu.
-Djemtë e mi këta ?! Do të iki, të iki, ika. … I padukshmi iku pafundësisht atje ku njerëzia dinë të sillen mirë e bukur, atje ku njerëzit takohen akoma me njëri -tjetrin, pijnë çaj, kafe…

Doli nga shtypi në Amerikë, në gjuhën angleze libri i KRISTAQ TURTULLIT: A JULY DAY IN MUSKOKA (NJË DITË KORRIKU NË MUSKOKA)

Porsa doli nga shtypi në Amerikë, në gjuhën angleze libri: A JULY DAY IN MUSKOKA (NJË DITË KORRIKU NË MUSKOKA) Në këtë libër janë përmbledhur 10 novela, të shkruara përgjatë 50 vjeteve si, PIANISTI, LULJA  FUNDIT, ZHGËNJIMI. APOLOGJIA E VETERANIT, HIJET E TË DJESHMES,  RRËFEN PËRGJUESI I DOSJES BLU, EJA VAJZË  VOGËL. NËNA DHE GJARPRI, MES ZHURMËS DHE QETËSISË etj,
Po përcjell për ju analizën e librit nga editori: Bryan Henry Fox:
Një vend ku dhimbja bëhet art, ku trauma bëhet letërsi, ku heshtja më në fund fillon të flasë.
Libri me novela :Një Ditë Korriku në Muskoka i shkrimtarit të mirënjohur, është një reflektim i qetë, por i fuqishëm mbi bashkëjetesën, njerëzimin dhe shpresën – një histori në të cilën bukuria natyrore e Kanadasë dëshmon për lidhjet universale që na bashkojnë të gjithëve.
Në zemër të veprës së tij qëndrojnë të thyerit, ata që kanë parë sistemet t’i shtypin, t’i gjymtojnë, t’i shkëpusin nga vetja dhe nga ata që duan. Megjithatë, çuditërisht, ata kurrë nuk portretizohen si të mundur. Ata durojnë. Ata durojnë me plagë, me boshllëk, me faj dhe me dashuri të pathënë. Rrëfimet e Turtulli-t na çojnë në vende ku frika bëhet frymëmarrje, ku shpresa është një luks dhe ku një njeri i braktisur flet me vete për të mos humbur mendjen. Dhe është pikërisht atje, në cepat më të errët të jetës, që ai gjen dritën e artit.
Proza e tij është e thellë, e trazuar, e papërpunuar në ndjenja dhe e trazuar në shpirt, po aq e shqetësuar sa vetë jeta. Fjalitë e tij të gjata dhe dredha-dredha i bëjnë jehonë frymëmarrjes së dikujt që nuk mund të gjejë qetësi, ritmit të mendimeve që refuzojnë të qetësohen, trokitjes nervore të gishtërinjve në një tavolinë plastike në një dhomë të huaj. Kristaq Turtulli shkruan me një autenticitet të rrallë, pothuajse si çeliku, duke krijuar figurën njerëzore përmes hundëve që dridheshin, përmes dridhjeve që përshkojnë gjymtyrët, përmes heshtjes që nuk është më heshtje, por një ulërimë e padukshme.
Personazhet e tij jetojnë midis dy botëve: e kaluara që thërret si mallkim, dhe e tashmja që i përball ata me veten e tyre. Nga njëra anë qëndron atdheu, dhimbja, internimi, arratisja, dhuna e sistemit. Nga ana tjetër qëndron bota e re, bota e lirë, ku hip në një aeroplan pa frikë dhe ulet në një vend ku askush nuk të ndëshkon për kalimin e një kufiri. Ky kontrast i dhimbshëm, ndonjëherë i formësuar në një xhelozi të qetë, i jep veprës së Turtullit një thellësi të jashtëzakonshme njerëzore.
Shkrimi i tij mbledh zërat e të heshturve, zëra që më në fund kanë gjetur një mënyrë për të folur. Këto janë histori që godasin pa mëshirë, por me dinjitet. Sepse Turtulli nuk shkruan për t’u ankuar; ai shkruan për të dëshmuar. Jo për të gjykuar, por për të kuptuar. Jo për të mbyllur plagët, por për t’i treguar botës se ato ekzistojnë.
Një Ditë Korriku në Muskoka që mbani në duar është më shumë sesa një përmbledhje historish apo kujtimesh. Është një akt dëshmie, një kronikë e një brezi të humbur, një dëshmi e shpirtit shqiptar në përballjen e tij me absurditetin historik. Me një stilolaps të ndjeshëm, të mprehtë dhe të sinqertë, Kristaq Turtulli na fton në botën e të plagosurve, të të përulurve, por kurrë të shuarve. Në një vend ku dhimbja bëhet art, ku trauma bëhet letërsi, ku heshtja më në fund fillon të flasë.
Ky libër, Një Ditë Korriku në Muskoka, është një udhëtim. Një udhëtim përmes kujtimeve të thyera, zërave të harruar dhe dritës së ringjallur. Është një udhëtim që ia vlen ta bësh.
Bryan Henry Fox, editor i librit dhe i romanit në gjuhën angleze; Hani me dy porta
In an age when the human voice is often drowned by the noise of the modern world, Kristaq Turtulli on the emerges with a voice unlike any: A July Day in Muskoka other: a voice gathered from the depths of memory, from the wounds of history, and from silences that carry the weight of stones. His writing is not merely storytelling; it is the confession of a life marked by suffering, questions, and a stubborn glimmer of light, an unending search for what it means to be human at the edges of existence.
A July Day in Muskoka is a comination of novellas that also capture the serene beauty of the Canadian landscape, the shimmering waters of Lake Muskoka, and the quiet rhythm of life shared by locals and summer visitors. Nature is not merely a setting but a living presence, reflecting the inner worlds of those who gather along the lake during the warm days of July.
Among the vacationing families are several Muslim Pakistani families, bringing with them their traditions, beliefs, and the joyful energy of their children. What begins as an ordinary summer day is suddenly shattered when a child goes missing in the lake’s waters.
In the face of danger, cultural, religious, and ethnic boundaries dissolve. Locals, immigrants, and visitors unite in a desperate effort to save the child. The novella becomes a moving portrayal of human solidarity, compassion, and the shared instinct to protect life, regardless of difference.
A July Day in Muskoka is a quiet yet powerful reflection on coexistence, humanity, and hope — a story in which the natural beauty of Canada bears witness to the universal bonds that unite us all.
At the heart of his work stand the broken ones, those who have watched systems crush them, cripple them, tear them away from themselves and the ones they love. Yet, remarkably, they are never portrayed as defeated. They endure. They endure with scars, with emptiness, with guilt, and with unspoken love. Turtulli’s narratives lead us into places where fear becomes breath, where hope is a luxury, and where an abandoned man speaks to himself to avoid losing his mind. And it is precisely there, in the darkest corners of life, that he finds the light of art.
His prose is deep, turbulent, raw in feeling and unsettled in spirit, as restless as life itself. His long, winding sentences echo the breath of someone who cannot find rest, the rhythm of thoughts that refuse to quiet, the nervous tapping of fingers on a plastic table in a foreign room. Kristaq Turtulli writes with a rare, almost steel-like authenticity, crafting the human figure through trembling nostrils, through the shiver that travels across the limbs, through the silence that is no longer silence but an invisible scream.
His characters live between two worlds: the past that calls like a curse, and the present that confronts them with themselves. On one side stands the homeland, the pain, the internment, the escape, the violence of the system. On the other stands the new world, the free world, where one boards an airplane without fear and lands in a place where no one punishes you for crossing a border. This painful contrast, at times shaped into a quiet jealousy, gives Turtulli’s work an extraordinary human depth.
His writing gathers the voices of the silenced, voices that have finally found a way to speak. These are stories that strike without mercy but with dignity. For Turtulli does not write to complain; he writes to bear witness. Not to judge, but to understand. Not to close wounds, but to show the world that they exist.
A July Day in Muskoka you hold in your hands is more than a collection of stories or recollections. It is an act of testimony, a chronicle of a lost generation, a testament to the Albanian soul in its confrontation with historical absurdity. With a pen that is sensitive, sharp, and sincere, Kristaq Turtulli invites us into the world of wounded, the humbled, but never the extinguished. Into a place where pain becomes art, where trauma becomes literature, where silence finally begins to speak.
This book, A July Day in Muskoka, is a journey. A journey through fractured memories, forgotten voices, and resurrected light. It is a journey worth taking.
 – Bryan Henry Fox, Editor

JUSUF BUXHOVI – INTELEKTUALI NË UDHËKRYQET E HISTORISË SHQIPTARE- Nga Frank Shkreli

          Në 80-vjetorin e lindjes, një vështrim mbi veprën e shkrimtarit,
              historianit, publicistit dhe bashkëpuntrit të Dr Ibrahim Rugovës
                                            
         “Për Kurtin, historia do tregojë”/ Historiani Jusuf Buxhovi për Kurtin, bashkimin kombetar…, #T7 #pressing
80-vjetori i lindjes së Jusuf Buxhovit m’u duk se është një është një rast i mirë për ta trajtuar figurën e tij jo thjesht si një përvjetor personal, por si një bilanc të një veprimtarie gjashtë-dekadëshe në letërsi, gazetari dhe historiografi. Buxhovi mbushi 80 vjeç më 4 gusht 2026 dhe këtë përvjetor e shoqëron edhe 60-vjetori i krijimtarisë së tij.
Ka përvjetorë që shkojnë e vinë, e për të gjithë ne shënojnë vetëm kalimin e viteve, por ka përvjetorë që na japin mundësinë të ndalemi përpara një vepre dhe një jete  dhe verprimtarie të madhe. 80-vjetori i Jusuf Buxhovit është një nga ata përvjetor që dua ta kujtojë (megjithse me pak vonesë) me respektin që kam për të dhe për kontributin e tij gjatë viteve.  Me Jusuf Buxhovin jam njohur fillimisht në fillim të viteve ’90, në Washington, në një periudhë vendimtare për Kosovën dhe për përpjekjet e saj për të fituar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe botës. Ai vinte në Washington si pjesë e delegacioneve të Presidentit Ibrahim Rugova, në kuadër të përpjekjeve të atëhershme për ta paraqitur çështjen e Kosovës para institucioneve qeveritare dhe qarqeve politike amerikane. Ishte koha kur diplomacia politike dhe ajo publike e Kosovës po ndërtonte themelet e mbështetjes së Shteteve të Bashkuara dhe çdo vizitë në Washington kishte një rëndësi të veçantë. Në ato takime të para dhe më vonë, pata mundësinë ta njoh Jusuf Buxhovin, jo vetëm si gazetar, shkrimtar e publicist, por edhe si një intelektual të angazhuar drejtpërdrejt në çështjen kombëtare dhe si anëtar të ekipit politik e intelektual që shoqëronte Rugovën në përpjekjet e tij diplomatike të asaj kohe. Ky dimension i jetës së tij është shumë i rëndësishëm, sepse e plotëson figurën e Buxhovit si intelektual që nuk qëndroi vetëm në rolin e shkrimtarit, gazetarit dhe historianit, por u përfshi drejtpërdrejt edhe në jetën politike të Kosovës. Sidomos në periudhën e Ibrahim Rugovës, dallohej veprimtaria e tij politike dhe bashkpunimi i ngushtë me Presidentin historik të Kosovës.  Në vitet vendimtare të rezistencës politike dhe institucionale të Kosovës, Buxhovi ishte pjesë e rrethit të intelektualëve që e mbështetën vizionin politik të Rugovës dhe rrugën e tij të veçantë drejt lirisë e pavarësisë. Si një nga themeluesit dhe drejtuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës në periudhën e hershme, ai kontribuoi në artikulimin politik të çështjes së Kosovës dhe në përpjekjet për ta ndërkombëtarizuar atë. Përvoja e gjatë si gazetar dhe korrespondent në Gjermani i dha Buxhovit një njohje të drejtpërdrejtë të realiteteve politike evropiano-perëndimore nepërmjet kontakteve me qarqet politike e diplomatike të botës së lirë. Kjo përvojë e ndërthur me vizionin politik të Rugovës, e ka bërë Buxhovin një nga zërat intelektualë e politikë të rëndësishëm të asaj periudhe. Kjo njohje e hershme me të në Washington më ka mbetur si një nga kujtimet e mia që e lidh figurën e Jusuf Buxhovit me një periudhë kur fjala, argumenti dhe prania politike e intelektualëve shqiptarë në kryeqytetin amerikan, në fillim të 1990-ave, kishin një peshë të veçantë.
Më 4 gusht 1946, në Pejë, lindi një njeri që do ta ndërtonte jetën e tij intelektuale në disa fusha, njëherësh, si gazetar, shkrimtar, historian dhe publicist. Sot, në moshën 80-vjeçare, Jusuf Buxhovi shënon jo vetëm një jetë të gjatë, por edhe gjashtë dekada krijimtarie. Rruga e tij nisi në gazetarinë e kulturës në gazetën “Rilindja”, në vitin 1967. Më pas ai u bë redaktor dhe, për më shumë se dy dekada, korrespondent i kësaj gazete në Bon, në atë kohë kryeqytet i Gjermanisë Perëndimore.  Përvoja gjermane do të ishte vendimtare për formimin e tij si studiues. Nga viti 2000 deri më 2008, ai iu kushtua kërkimeve në arkivat gjermane, duke e kthyer gazetarinë dhe përvojën e drejtpërdrejtë me botën perëndimore në një tjetër instrument për të lexuar historinë shqiptare.
Por Buxhovi nuk mund të kuptohet vetëm si gazetar dhe as vetëm si historian. Thelbi i figurës së tij është pikërisht ndërthurja e këtyre dy dimensioneve me letërsinë.  Ai studioi Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Universitetin e Prishtinës, ndërsa më vonë kreu studimet pasuniversitare në Histori, duke mbrojtur temën mbi Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, bazuar në dokumentet gjermane. Kështu, letërsia dhe historia u bënë dy shtylla të një pune që synonte të depërtonte në kujtesën shqiptare. Në letërsi, Buxhovi ka ndërtuar një botë të tijën, ndërsa në historiografi ka ndërmarrë një projekt shumë më të gjerë: rivështrimin e historisë së Kosovës dhe të shqiptarëve përmes dokumentit, kujtesës dhe interpretimit historik. Vepra shumëvëllimëshe “Kosova” është shprehja më e dukshme e këtij qëllimi. Vetë përmasat e këtij projekti e vendosin autorin përpara një detyre që shkon përtej një libri të zakonshëm historiografik. Ajo është një përpjekje për të ndërtuar një narrativë të gjerë mbi fatin dhe të vërtetën historike të Kosovës dhe të shqiptarëve. “Të shënohet e kaluara me qëllim që të mos harrohet dhe të përballemi me të kaluarën e ligët, si pjesë e përgjegjësisë së plotë që ka njeriu ndaj së Vërtetës dhe detyrimi që të gjithë të kemi — si individ dhe shoqëri — për të dëshmuar dhe për të mbrojtur të Vërtetën.”  Këtu qëndron edhe një nga veçoritë më të rëndësishme të Buxhovit se ai nuk e sheh historinë vetëm si të kaluar, por si një forcë që vazhdon të ndikojë në të tashmen.
Në këtë kuptim, puna e tij historiografike ka qenë dhe mbetet edhe një përpjekje për ta nxjerrë historinë shqiptare nga kornizat e vjetra ideologjike komuniste dhe nga interpretimet e ndërtuara prej historiografive të huaja, sidomos asaj serbe. Në intervista të ndryshme, Buxhovi ka insistuar në nevojën që historiografia shqiptare të përballet me dokumentin dhe të çlirohet nga paragjykimet ideologjike.
Sigurisht, si çdo autor që prek tema të mëdha dhe të ndjeshme, edhe Buxhovi ka prodhuar debate. Disa prej tezave të tij historike kanë qenë dhe mbeten të diskutueshme në disa qarqe akademike. Por pikërisht këtu duhet parë një nga vlerat e tij. Me punën dhe veprat e tij ai ka nxitur debat mbi historinë shqiptare, duke mos pranuar që disa tema të mbeten të mbyllura në formulat tradicionale.  Sepse një intelektual nuk matet vetëm me numrin e veprave që shkruan. Ai matet edhe me pyetjet që u lë pas brezave. Dhe Buxhovi ka ngritur shumë pyetje. Çfarë dimë, realisht, për historinë tonë? Sa prej saj është shkruar nën ndikimin e politikës? Sa kemi ditur ta lexojmë dokumentin? Si duhet të ndërtohet kujtesa kombëtare?  Dhe, mbi të gjitha, si mund të bashkëjetojnë letërsia, historia dhe përgjegjësia intelektuale?  Në vitet e fundit, Buxhovi ka vazhduar të jetë aktiv në debatet mediatike dhe akademike për historinë, identitetin kombëtar dhe zhvillimet politike shqiptare. Në një intervistë më heret, me rastin e 80-vjetorit dhe 60-vjetorit të krijimtarisë, ai është rikthyer, pikërisht te marrëdhënia midis letërsisë, historisë, kujtesës dhe rolit të intelektualit në një shoqëri  demokratike.
Kjo është ndoshta mënyra më e mirë për ta kuptuar figurën e tij. Jusuf Buxhovi është një intelektual që ka jetuar mes faktit historik dhe imagjinatës letrare, mes dokumentit dhe kujtesës historikee dhe mes gazetarisë e studimit. Në një kohë kur sot gazetaria shpesh është bërë e përkohshme, ndërsa letërsia shpesh e fragmentuar dhe debati historik i politizuar, një jetë e kaluar në kërkim të dokumentit dhe fakteve, në shkrim dhe në debat,  përbën një trashëgimi që meriton të vlerësohet. Tetëdhjetë vjet pas lindjes së tij, mund të thuhet se Buxhovi i përket një brezi intelektualësh që e përjetuan Kosovën në një nga periudhat më të vështira të historisë së saj moderne dhe që, në mënyrën e tyre, u përpoqën ta dokumentonin, ta shpjegonin dhe të mbronin kujtesën e saj. Prandaj 80-vjetori i Jusuf Buxhovit nuk duhet të jetë vetëm një urim. Duhet të jetë një moment për të rilexuar veprën e tij, për të vlerësuar kontributet e tij, për të diskutuar edhe tezat e debatueshme dhe për të vendosur këtë figurë në vendin që meriton në historinë e mendimit shqiptar të gjysmës së dytë të shekullit XX dhe fillimit të shekullit XXI.  80- vjet jetë dhe 60- vjet krijimtari janë një rast për të uruar dhe për të nderuar njeriun, por edhe për të gjykuar veprën, ndërsa vepra e Jusuf Buxhovit është tashmë pjesë e kujtesës historike intelektuale mbarë-shqiptare.
Në këtë përvjetor shpreh mirënjohje për kontributin e Profesor Jusuf Buxhovit në letërsi, gazetari dhe historiografi. Vepra e tij ka lënë gjurmë të rëndësishme në kujtesën kulturore dhe historike mbarë-shqiptare duke pasuruar mendimin dhe debatin intelektual. Përmes shkrimeve dhe angazhimit publik, ai ka kontribuar në në ndërtimin e vetëdijes historike dhe identitetit historik kulturor kombëtar shqiptar. Ju uroj shëndet të mirë dhe vazhdim të suksesëshëm të krijimtarisë suaj intelektuale dhe kombëtare edhe për shumë vite.
Frank Shkreli
  Jusuf Buxhovi me Ibrahim Rugovën në fillim të 1990-ave
 
Autori me Profesor Jusuf Buxhovin ë Nju Jork, 2012
Me rastin e promovimit nga VATRA të tre vëllimeve mbi historinë e Kosovës, New York 1 Dhjetor 2012

ZJARRI NUK MUNDET TA DJEGË SHPIRTIN- Poemë nga Isuf B.Bajrami

Isukaj,Karadak – 1944

Mbi malet shqiptare po binte një vjeshtë e gjatë,
me mjegullën që zbriste si kujtim nga kreshtat e lashta,
dhe era, nëpër degët e verdha, shfletonte pyjet ngadalë,
si një dorë e padukshme mbi librin e kohës së vjetër;
në çdo oxhak ngrihej një fije tymi drejt qiellit,
e çdo vatër ruante në gjoks një dritë të shtëpisë.
Nëpër oda flinte buka pranë sofrave të drunjta,
uji këndonte larg nëpër gurët e përrenjve,
dhe nënat, mbi djepet e vegjël, e ulnin zërin e ninullës,
që gjumi i fëmijës të mos trembej nga era në çati;
hëna rrinte pezull mbi male si një kandil i largët,
ndërsa e nesërmja lëkundej e qetë në duart e nënave.

Por larg, përtej mjegullës, po mblidhej një errësirë,
një re pa shi, me bubullimën e fshehur në kraharor;
ajo zbriste ngadalë nëpër shpate, ara e lugina,
kalonte pranë krojeve dhe gurëve që dinin shumë histori,
derisa nata mori një fytyrë që s’duhej ta kishte—
fytyrën e njeriut kur harron njeriun përballë vetes.

Pastaj dyert u drodhën nën grushtin e asaj nate,
dhe bashkë me dyert u drodhën duart mbi djepa;
u shkulën burrat nga oda, pleqtë nga pragu i shtëpisë,
nënat u përkulën mbi fëmijët si degë mbi zogjtë,
ndërsa rruga u mbush me hapa pa kthim
dhe pas tyre shtëpitë filluan të marrin flakë.

Flaka u ngjit mbi çati si gjuhë e kuqe e uritur,
u fut në trarë, në oda, në fotografi e në djepa,
hëngri sofrat ku buka ishte ndarë mes brezash,
u bë tym mbi fshatra dhe re e zezë mbi fusha;
por zjarri nuk e dinte se shtëpia është më shumë se guri—
se ajo jeton edhe pasi muri rrëzohet në hi.

Sepse shtëpia është era e bukës që mbetet në kujtesë,
është hapi i babait që pritet mbrëmjeve te pragu,
është dora e nënës mbi ballin e fëmijës së përgjumur,
është një dritare që ruan dritën edhe kur xhami thyhet;
dhe ajo që ndërtohet me dashuri nuk digjet krejt,
sepse kujtimi nuk ka çati, as mur, as derë për t’u djegur.

Në një shteg mbeti një këpucë e vogël në baltë,
një shami gruaje u kap pas degës së një thane,
dhe më tej, nën shiun e gjetheve, një djep i braktisur
lëkundej nga era si një zemër që nuk pranonte qetësinë;
gjethet binin brenda tij njëra pas tjetrës,
sikur vjeshta po e mbushte boshllëkun me heshtje.

O djep i vogël, çfarë duarsh të kishin lëkundur,
çfarë buzësh të kishin falur ninullën e parë?
Tani era të përkundte me gishtat e saj të ftohtë,
dhe një degë e thatë trokiste mbi dru si një nënë në derë;
ti ishe bosh, por brenda boshllëkut tënd të thellë
flinte gjithë ajo e ardhme që nuk arriti të bëhej pranverë.

Dhe diku, në një shpat të Karadakut, mbeti një emër—
Isëukaj, i rëndë si gur në fund të një lumi;
mbi të kaluan mjegulla, shirat, borërat dhe verat,
pyjet ndërruan gjethet, zogjtë ndërruan udhët e tyre,
por toka nuk e la atë natë të tretej në harresë,
sepse dheu mban gjatë atë që gjaku ia beson kujtesës.

Atje u mblodhën jetë të këputura nga rrënjët,
burra me erën e arës ende të ngjitur në duar,
pleq me dimra të tërë në vijat e fytyrës,
nëna me fëmijët e shtrënguar si copëza drite;
nëntëdhjetë e tetë jetë, nëntëdhjetë e tetë botë,
nëntëdhjetë e tetë emra që nata nuk duhej t’i merrte.

Duart u lidhën—duar që kishin mbjellë farën në tokë,
që kishin ngritur mure, korrur grurë e hapur kroje,
duar që kishin larë ballin e fëmijës me ujë burimi,
që kishin përkundur net të tëra mbi djep;
por litari mund të lidhte kyçet e duarve,
jo rrënjët që njeriu mban thellë nën mish e nën kujtim.

Mbi kokat e burrave rrinte plisi i bardhë,
si bora që nuk pyet malin nëse do të bjerë;
si një copë qielli e zbritur mbi ballë,
si drita e të parëve që nuk shuhet me drurin;
dhe në atë bardhësi të heshtur kishte një betim
që flaka mund ta rrethonte, por nuk mund ta nxinte.

Pastaj zjarri u ngrit rreth tyre me gjuhë të kuqe,
dhe nata u bë një kupë e zezë mbi tokë;
tupanet ranë rëndë si bubullima pa shi,
surla u ngrit në ajër si një zog i plagosur,
dhe ajo muzikë që duhej të ishte për dasmë
u bë vaj mbi një natë që nuk njihte më gëzim.

Sa e rëndë është muzika kur humbet gëzimin,
kur tupani rreh dhe zemra nuk gjen më valle,
kur surla ngrihet, por qielli nuk hapet,
kur flaka kërcen dhe askush nuk e quan dritë;
nata e kishte veshur atë këngë me zi,
dhe yjet ishin fshehur pas një qielli pa mëshirë.

Nënat i mblodhën fëmijët nën krahët e tyre,
si zogjtë që fshehin të vegjlit para stuhisë;
një fëmijë dëgjoi vetëm zemrën e nënës së vet,
atë rrahje të vogël që ende i thoshte se bota ekzistonte;
dhe kur ajo dorë u drodh mbi flokët e tij,
u drodh edhe qielli, sikur të kishte zemër njeriu.

Mbi gratë ra një dhunë që nata nuk mund ta mbulonte,
një errësirë që kërkoi të përdhosë edhe jetën që lind;
por ka një thellësi ku dhuna nuk mund të hyjë,
një vend ku shpirti e ruan emrin si farën nën dhe,
ku edhe kur trupi rrëzohet nën peshën e dhunës,
një dritë e fshehtë vazhdon të mos pranojë të shuhet.

Fëmijët nuk dinin pse zjarri kishte sy të kuq,
as pse yjet ishin fshehur pas reve të zeza;
nuk dinin pse duart e të rriturve dridheshin,
as pse nata nuk kishte më zë për ninullë;
dinin vetëm dorën e nënës pranë tyre—
dhe ajo dorë ishte gjithë bota që u kishte mbetur.

Pastaj heshti tupani, u tret klithma e surles,
dhe flaka u ul mbi drurin e fundit të natës;
tymrat u ngritën drejt qiellit si shpirtra pa shtëpi,
ndërsa toka hapi gjirin e saj të heshtur e të thellë
dhe mori në errësirën e vet atë që njerëzit nuk mundën
ta mbronin me duar, me zë, me trup e me jetë.

Dheu ra mbi dhe, ngadalë, pa gur e pa lule,
si bora që mbulon një shteg dhe nuk pyet kush kaloi;
por rrënjët e pemëve e dinë atë që nuk e di harresa,
dhe uji nën gurë i bart emrat drejt burimit;
se toka nuk është vetëm varr i heshtur për të vdekurit—
ajo është edhe barku ku kujtesa pret të mbijë.

Kaluan vitet; lumi i mori larg shumë hije,
bora ra e shkriu mbi të njëjtat kreshta,
pemët ndërruan gjethin dhe zogjtë kthyen pranverat,
por në thellësi të tokës mbeti një rrahje e padukshme;
dhe Isëukaj, si gur që lumi nuk mund ta tresë,
vazhdoi të rrinte në kujtesën e trojeve shqiptare.

U ngritën shtëpi përsëri mbi themele të reja,
nga oxhaqet u ngrit përsëri tymi i ngrohtë i bukës,
fëmijë të rinj vrapuan në oborre dhe qeshën,
dhe një nënë përsëri e vuri një foshnjë në djep;
era u fut në degë dhe solli një këngë të largët,
ndërsa mali, pas shumë dimrash, e priti përsëri pranverën.

Djepi u lëkund nën duart e nënës,
një herë si kujtim, pastaj si jetë;
jashtë, një zog u ngrit nga pema drejt qiellit,
dhe një farë e harruar çau tokën pas shiut;
kështu bota eci përpara—jo duke harruar hirin,
por duke mbjellë mbi të një pranverë të re.

Prandaj mos e kujtoni vetëm zjarrin,
kujtoni edhe duart që mbollën para tij;
mos kujtoni vetëm varrin, kujtoni djepin,
mos kujtoni vetëm britmën, kujtoni ninullën;
sepse kujtesa nuk është të jetosh përgjithmonë në natë—
është të ndezësh dritën dhe të mos harrosh pse.

Le të kalojë emri nga goja e gjyshit te nipi,
si uji që zbret nga burimi drejt lumit të madh;
le të mos thahet në gur, le të mos mbytet në heshtje,
le të ecë nëpër troje si fara që era bart mbi arë,
derisa çdo fëmijë të dijë se paqja është një vatër
që duhet ruajtur me duar të gjalla.

Dhe nëse nesër një fëmijë pyet për atë natë,
mos ia jepni historinë si një gur të ftohtë në dorë;
jepjani si një farë që duhet mbjellë në kujtesë,
që ai të dijë se urrejtja nis shpesh si hije e vogël,
por kur ushqehet nga heshtja bëhet zjarr,
dhe zjarri nuk pyet më cilën shtëpi po djeg.

Mësojeni të ruajë dritën para se të bjerë terri,
të njohë njeriun përpara se të shohë armikun;
të dijë se paqja është një vatër që kërkon duar,
se ajo shuhet kur askush nuk përkulet ta ruajë;
dhe se një popull që harron rrënjët e veta
mbetet si pemë në erë, pa tokë nën këmbë.

Por mbi të gjitha, lëreni të shohë bardhësinë,
atë të bardhë që nuk u bë hi në mes të flakës;
plisin që rrinte si borë mbi një natë të zezë,
si gur i ndriçuar nga hëna, si kreshtë mbi stuhi,
si një copë e vjetër qielli mbi kokën e njeriut—
i qetë, i bardhë, i paprekur nga urrejtja.

Sepse bardhësia e tij nuk është vetëm ngjyrë,
është bora e maleve e kthyer në kujtesë,
është drita që kalon nga balli i gjyshit te nipi,
është një gur i bardhë mbi terrin e kohës,
është fjala e heshtur e një populli që ka kaluar zjarrin
dhe ende nuk e ka harruar ngjyrën e dritës.

Dhe kur era të kalojë përsëri mbi gurët e Isëukajt,
le t’i marrë emrat e të rënëve si fara nëpër fusha,
le t’i çojë nga një mal në tjetrin, nga një prag në tjetrin,
që asnjë emër të mos mbetet vetëm nën dhe,
që asnjë nënë të mos bëhet vetëm hije pa zë,
që asnjë fëmijë të mos humbasë përsëri rrugën e djepit.

Le të ndizet zjarri përsëri—por vetëm pranë sofrës,
le të ngrohen duart mbi të dhe buka të piqet ngadalë;
le të bien tupanet—por mbi dasma e gëzime,
le të këndojë surla mbi oborre ku fëmijët vrapojnë,
le të ketë tym mbi çati, por tym të bardhë prej vatrash,
dhe jo re të zeza që zbresin mbi njerëz.

Kjo qoftë përgjigjja jonë ndaj hirit: jeta;
ndaj harresës: kujtesa; ndaj errësirës: drita;
ndaj dhunës: duart që ndërtojnë, jo duart që shkatërrojnë;
dhe ndaj natës që dikur kërkoi të na shuante emrin,
një mëngjes i gjatë mbi këto troje të lashta,
ku fëmijët të rriten pa e mësuar gjuhën e zjarrit.

Kur pëlhura të mbetet nën dritën e fundit,
flaka do të heshtë në të kuqen e saj të ngrirë,
tymi do të flejë mbi qiellin e nxirë të ngjyrës,
mali do të qëndrojë larg, i rëndë si kujtesa,
dhe plisi do të mbetet i bardhë mbi gjithë atë natë,
si një dritë që zjarri nuk e gjeti dot për ta djegur.

Sepse mund të digjet druri, por rrënja mbetet nën tokë,
mund të bjerë gjethi, por pema e pret përsëri pranverën,
mund të mbulohet guri me shi, me bar e me vite,
por lumi i kujtesës e gjen emrin dhe e nxjerr në dritë;
mund të bjerë trupi në dhe, por emri ngrihet përsëri—
dhe ajo që ruhet në shpirt nuk bëhet kurrë hi.

Isëukaj mbetet një emër, por jo vetëm një vend;
është një gur në themelin e kujtesës sonë të përbashkët,
një plagë që nuk kërkon hakmarrje, por dritë,
një djep i humbur që na kërkon të ruajmë të nesërmen,
një zë i largët që kalon nga mali në mal
dhe na thotë, me heshtjen e tij: mos harroni.

Dhe në fund, kur gjithçka të heshtë mbi tokë,
kur bora të bjerë përsëri mbi kreshtat e vjetra,
kur era të kalojë mbi gurë dhe të zgjojë barin,
nga një shtëpi do të ngrihet një ninullë e re;
një nënë do të lëkundë djepin dhe një fëmijë do të flejë—
dhe shpirti, më në fund, do ta dijë se zjarri nuk fitoi.

Plisi mbetet i bardhë.
Si bora mbi mal.
Si drita mbi gur.
Si fara nën dhe.
Si kujtesa mbi kohë.
Dhe shpirti—
shpirti nuk u dogj.

Vendi i Lekës,19.08.2026

NJERI I KOHËS SIME… POETI SALVATORE QUASIMODO DHE DËSHMORI SHQIPTAR… Nga Visar ZHITI

 

* * *

E nisa me këtë poezi të rëndë të poetit nobelist Salvatore Quasimodo, e përktheva siç munda, se është dita e tij… dhe njeriu duket se është trashëgimtar i asaj barbarie të lashtë, – akuzon Poeti, – pavarësisht përparimeve, edhe ato të tanishmet, marramendëse të shkencës. Kur vëllai i tha vëllait:

“Të shkojmë në fusha”, është fjala për atë historinë biblike të Kainit dhe Abelit, vrasja e parë mes njerëzve… që vazhdon, edhe pse ndryshe, me shëtitjet e tanishme, pa dalë nga shtëpia, ja, të hedhim një sy nga fb, këtë të vrasim me një status a koment… Edhe pse është lexuar Quasimodo, qoftë dhe kohë më parë, – do të thosha pa ironi, – del rishtas ajo ligësi që s’përmbahet edhe në përditshmërinë e paqtë, sikur kthetrat dhe brirët, kafshimet me dhëmbë janë bërë metafora…

Porosia e poezisë së Quasimodos mbetet thellësisht humane: njeriu duhet të mësojë të mos e përsërisë më tragjedinë e etërve dhe ligësitë e vetes…

RRUGA E POETIT

Do të desha ta nisja duke treguar prapë që dhe unë kam qenë në shtëpinë e Salavatore Quasimodo-s, në Modica, Via Posterla 84, në Sicilinë magjepse, është muze… aty lindi…si sot më 20 gusht 1901… pra, 125 vjetori i tij… është poet i dashur dhe në Shqipëri…

Poeti dhe studiuesi, enciklopedisti Moikom Zeqo, mik yni, që na iku dëshpërueshëm shpejt, kishte zbuluar se dëshmori shqiptar, Dino Kalenja, vrarë gjatë luftës nga nazistët në 1944, që shkruante dhe vjersha, ka patur njohje me Quasimodo-n, madje dhe letërkëmbim dhe na sjell një fotografi, dalë të dy në Viterbo, Itali. Dino Kalenja studionte në Akademinë Ushtarake ndërsa Quasimodo kishte studiuar në Shkollën Teknike dhe ishte bërë gjeometër. Po ç’i bashkonte këta të dy? – pyet Moikomi dhe përgjigjet: Poezia.

Do të ishte me interes kërkimi i mëtejshëm në këtë zbulim të tij, për të cilin pati dhe një artikull të para më shumë se një dekade…

Poezia na bashkon.

Teksa ecja në të përpjetën e rrugës për në shtëpinë e Quasimodo-s, lexoja vargje të tij, të shkruara në muret e vjetra:

ED È SUBITO SERA

Ognuno sta solo sul cuor della terra

trafitto da un raggio di sole:

ed è subito sera.

Poezi e famshme, universalë, që përmbledhin të gjithë jetën njerëzore: njeriu është i vetëm, – na thotë, – i ndriçuar nga drita e jetës, por shumë shpejt vjen mbrëmja, që s’ka pse të mendohet si fundi, – shtoj unë. Quasimodo me vetëm kaq pak fjalë përmbledh vetminë, bukurinë dhe dhimbjen e ekzistencës, përkohshmërinë dhe pafundësinë…

Në shtëpi e Quasimodo-s ishte dhe kjo poezi, dhe zëri i tij, “aspak hermetik”, i inçizuar, pashë penën, skrivaninë, orenditë, ndjeva frymën, heshtjen, shfletova njërin nga librat. Poezia e tij është hermetike siç shkruajnë kritikët? – pyeta veten.

…kur isha në Milano dhe bëja stazh në gazetën “Corriere della Sera”, kujtoj që gazetari dhe poeti Sebastiano Grasso, me të cilin do të bëhesha shumë mik, më thoshte shpesh se je aty, ku ulej Quasimodo…

Heshtja… Mos ishte dhe thirrja e tij, s’dihet ç’donte të më thoshte, që kishte njohur një shqiptar, që u vra në luftë… po dhe piktorin Ibrahim Kodra, ia pëlqente veprën, edhe kur luante me mandolinë për atë pjesën shqiptare: Dhëntë shkojnë për ujë, që Maestroja qëllimisht ia përkthente: Dhëntë zbresin nga Olimpi… Ç’kumt donte të jepte?… Po unë a t’i tregoja se ajo tercina e famshme e tij

“Ed è subito sera” kishte hyrë çuditërisht dhe në burgjet shqiptare, s’di se si, dhe e përkthenin të burgosur si t’u pëlqente.

Unë nuk doja ta humbte atë rimën e vetme dhe në shqip:

DHE MENJËHERË VJEN MBRËMJA

Secili është vetëm në tokë, te zemra,

i çarë nga një rreze dielli

dhe menjëherë vjen mbrëmja.

Kaq e shkurtër dhe kaq tingëlluese, kaq e përjetëshme, e bukur deri në pikëllim hyjnor. Të jetë ky thelbi i Quasimodos që nga heshtja dhe tragjedia e kohës, të kërkosh të nxjerrësh gjithmonë dinjitetin njerëzor, paqen dhe humanizmin… dhe poezinë.

Visar Zhiti

Figura poliedrike e Jusuf Buxhovit me rastin e 80 vjetorit shfaqet në një intervistë tek PRESSING T7

Figura poliedrike e Jusuf Buxhovit me rastin e 80 vjetorit shfaqet në një intervistë tek PRESSING T7


Send this to a friend