Tuqiditi dhe autori i shkrimit
Flladi i mëngjesit, që përkëdhelte bregun dhe sillte me vete aromën e detit, na e bëri edhe më të këndshme kafenë me kanellë, atë mëngjes, që po e ndaja me mikun tim, Stefanin. Në qetësinë dhe romantikën e asaj kafetereje buzë detit, mendimet nisën të merrnin udhë, të shtegëtonin përtej çastit, drejt një meditimi emocional, të mbushur me dritë e energji pozitive. Athina me atë dritë të veçantë mesdhetare, që i afron kohët me njëra-tjetrën: ku qyteti modern vazhdonte jetën e vet, ndërsa Antikiteti shfaqej papritur në një bust, në një kolonë, në një emër rruge, në një copë mermeri. Dhe pikërisht atë moment, si një surprizë e ardhur prej kohëve, aty pranë, në Alimu, na u shfaq busti i të shquarit, Thukididit. Pak më herët, teksa kalonim në Panepistimiu, kishim përshëndetur nga afër Platonin. Dy emblemat e mendimit antik helen, mjeshtri i realizmit politik dhe emblema e filozofisë idealiste. Dy figura të një bote që, pas njëzet e pesë shekujsh, vazhdon të na vërë përpara, të njëjtave pyetje. Ndërkaq mendimet e mia shtegëtonin në figurën e historianit “profet”, në vështrimin e tij, unë shikoja dramën e Myrtis, atë simbol të mbijetesës. …Nga arhondikoja, dritarja e shtëpisë së tij, ndërtuar mbi copa shkëmbinjsh në Alimo, me shikimin e menduar, ai vështronte nga dritarja e vogël, detin e egërsuar, që e kishte humbur kaltërsinë,
Thukididi, Platoni … dhe ne
Akropolin, me madhështinë e sfumuar, si gjigand i kërrusur dhe Athinën përreth, me gjelbërim të zverdhur, gjithçka e veshur në një mantel të zymtë, gri. Ku as dielli nuk dukej të ndriçonte, megjithëse ishte verë. Në Pire nxinin detin, anijet e spartanëve, me kanona dhe armë mbushur. Jashtë mureve ishte armiku; brenda tyre, një armik tjetër, i padukshëm dhe shumë më i pamëshirshëm: epidemia. Mbi Athinë murtaja makabër, kishte shtrirë me egërsi kthetrat e saj. Në pak kohë, Athina e Perikliut, qyteti i teatrit, i filozofisë dhe i demokracisë, u shndërrua në një qytet, të frikës dhe vdekjes. Vendin e melodive emocionale të lirës, të muzikës Frigian, dhe fragmenteve recitative, deklamative me Flogjerin (Flaut) shoqëruar, e kishin zënë muzika Dorike, luftarake, në solemnitetin marcial, me salpingë e trumbeta. Por dhe një elegji vajtuese, e zgjatur, që vinte nga lutjet e njerëzve në tempuj, e nëpër rrugë, të coptonte shpirtin.
Historiani i shquar, me atë fizionomi simpatike, me shikimin e mprehtë, ballin e rrudhur nga mendimet, e mjekrën e vogël, fisnike, dukej sikur me ekspresionin e tij, artikulonte një Pse ?!
Thukidides, Historiani i çdo epoke
Atë që e kishin quajtur, “historian profet”, “babai i historisë shkencore”, tani po kalonte sfidën më të madhe të jetës së tij, pandeminë e murtajës, paralel me pasojat e luftrave në dekada, me Spartanët. Sfidë me dy fytyra mizore, lufta dhe murtaja, njëra më e dhimbshme dhe më e shëmtuar se tjetra. Ai nuk i drejtonte sytë dhe duart nga qielli, por, luftonte me të gjitha armët, që Hipokrati dhe dija, ja kishin servirur, veç bazohej në forcën e mendjes, për të mbijetuar.
I zbehtë e i fikur nga ethet dhe dehidrimi diareik, ulej në dritën e kandilit, me vështrimin nga Akropoli i Perikliut, që i jepte forcë, dhe me sytë e lotuar, e të përgjakur nga floga, i shtoi “Luftës së Peloponezit”, kapitullin makabër të “Murtajës”. Dy beteja në një kohë, në një sfond…
“Murtaja e Athinës” nga François Perrier
Me përshkrimin fantastik të asaj drame, mes një optike ndryshe, në një narrativë “poetike” kryevepër, ku kriza latente, shtrihej nga analiza historike e natyrës njerëzore, në një realitet social të dështuar, pa kërkuar asistencë nga metafizika apo nga zotat. Kjo e bëri të veçantë, vlerën e asaj figure, që nuk është e vështirë për ta identifikuar,…ishte madhështori Thukidides, Historiani i çdo epoke. “Historia, thoshte, është filozofia përmes shëmbujve”. Në rrëfimin e tij rrëqethës, ndihet sensi filozofik, po aq dhe njerëzor, me tablotë plot ngjyra dhe figura, të asaj drame makabër. Ku lavdia dhe fama, e qytet-shtetit Athinës, u bënë thuajse pluhur. Ajo pandemi e ardhur nga Egjipti dhe Libia, në vitet 430-426 p.e.s, ishte e paparë. Flitej se, këshilli i të diturve pleqë, kishte parashikuar se…“mbas një lufte dorike, diçka do të vinte bashkë me vdekjen”, ndërsa Herodoti e kishte quajtur atë “si dëshirë të perëndive”. Një murtajë që dhe lulet dhe gjelbërimin e thau edhe cicërrimin e zogjve e shoi.
“Thukididis murtajë ”, prej Michiel Sweerts
Kjo histori tronditëse, veç të tjerave u shoqërua me degradimin social e moral, ku ritualet dobësohen, kufijtë moralë lëkunden dhe e ardhmja humbet fuqinë e saj, mbi të tashmen.Lufta dhe epidemia krijojnë dy gjendje ekstreme, që zhveshin shoqërinë nga siguria e saj e zakonshme. Nën këtë zhveshje, shfaqet pyetja që e bën Thukididin bashkëkohësin tonë: çfarë mbetet nga njeriu kur strukturat që e mbajnë atë brenda një rendi, fillojnë të shëmben? Njerëzit endeshin rrugëve si somnanbulë, kufoma me frymëmarje, të hutuar, që dhe emrin e tyre e kishin harruar. Zjarri i sëmundjes dhe fliktenat i zhveshën nga rrobat. Me fytyra të zbehta, sytë që rridhnin gjak dhe lot, me anësitë e nxira, në nekrotizim, me ekzanthema dhe fliktena që pikonin gjak, i luteshin zotit, për t’i shpëtuar. Disa nuk mund të qëndronin në këmbë, të dehidratuar nga të vjellat dhe diaretë hematike, zvarriteshin për të gjetur ndonjë rrëke uji, apo pus, për të shuar sadopak etjen. Të tjerë binin të vdekur mbi njëri-tjetrin, pas një epilogu delirant. Vdekjet shtoheshin shpejt, në numra të pa imagjinuar. Ritet e varrimit u braktisën dhe varrezat u përmbushën.
Kështu vendosën ti varrosnin në varre masive, të përbashkëta jashtë qytetit. Mandej u detyruan t’i vendosnin, mbi turrin e drurëve dhe t’i digjnin. Ata që luanin sado pak, rolin e mjekut ishin të mbijetuarit, me përvojën e tyre, se mjekët ishin sakrifikuar deri në fundin e tyre, shoqëruar me kolapsin e shërbimit mjekësor. Dhe vetë Thukididi, mbasi mbijetoi, një ditë doli në agora për të parë nga afër atë tablo, që luhej në disa skena. Ndoshta pikërisht kjo e bën dëshminë e tij kaq të fuqishme, pasi shkruan për diçka që më parë kishte kaluar përmes trupit të tij. Gjatë ecjes shikon një vogëlushe të shtrirë, e cila mundohej t’i afrohej një rrëkeje uji, duke zgjatur dorën, me një klithje të zërit. Ai mbushi grushtin me ujë e gjak përzier dhe ia afroi në buzët e thara.Vogëlushja, pasi piu pak, mbeti për një çast e ngrirë, sikur koha të kishte ndalur mbi të. Nuk e ngriti më kokën; qëndroi ashtu, e heshtur, e brishtë, si një kujtim, që jeta e kishte lënë përgjysmë.
…Mjeshtëria narrative, e Thukididis, e pasur me elemente jo vetëm historike e kulturale, por dhe me ndjenjë e një qasje psikoanalitike, të ofron një portret shumëdimensional: sociologu, epidemiologu, psikologu, apo shkrimtari që, me atë “prozë epike”, frymëzuan jo vetëm Plutarkun e Dhimostenin, por në epokën moderne dhe N.Makiavelin e Niçen, aq sa ky i fundit e karakterizoi Thukididin, si “vendosmëri absolute për të mos paragjykuar asgjë dhe për të parë arsyen brenda realitetit,…një rol model për t’u ndjekur, gjë që më bënë ta vlerësoj, dhe më tepër se Platoni ”. Në dinamikë nuk mbetën indiferentë, as poetja e shquar Anne Carson, as filozofi Albert Camus. Madje dhe artet vizuale u sensibilizuan, duke servirur tablotë impresionante, të François Perrier e Michel Sweerts.
Por, njëkohësisht, ishte një emër, që ngjallte diskutime dhe debate. “Lufta, thoshte ai, është një mësues i dhunshëm”, por asaj iu bashkua dhe drama e murtajës! Ajo Athinë kaq madhështore me kulmet kulturore dhe intelektuale, si djep i demokracisë, fshihte në të dhe atë anë të errët, dritëhijet e saj.
Artefakti arkeologjik që u kthye në njeri, Myrtis
…Kanë kaluar njëzet e pesë shekuj, shekuj të mbushur me luftëra, murtaja dhe epidemi, deri tek pandemia tronditëse e ditëve tona, me makabritetin dhe enigmën atipike të Covid-19. E megjithatë, ajo ikonë e zymtë e Athinës, nuk u harrua. Përkundrazi, ajo vazhdon të jetojë në kujtesën njerëzore, jo thjesht si një kronikë e një pandemie të largët, por si një dëshmi e fuqishme mbi natyrën njerëzore në situata të skajshme, e cila u shoqërua me shëmbjen e kodeve morale, çka e bëri atë, “pasuri për të gjitha kohërat”. Ai na mësoi se, episode të caktuara historike, mund të përsëriten dhe të shndërrohen në kohë, në dukuri universale.
…Nuk edi a ishte mrekulli apo profetike, eventi surprizë, që e shuajti heshtjen, gjatë zbulimeve arkeokogjike në zonën e Keramikës, në periferi të Athinës, në vitet 1994, ku arkeologët zbuluan një varr masiv, me mbetje njerëzore, që i korrespondonte viteve të epidemisë. Në të u gjet një kafkë e një vajze anonime, rreth 11 vjeç, e cila i befasoi, me ruajtjen e saj, në gjendje të përsosur, mbas kaq shekujsh, ndryshe nga të tjerat.
Toka kishte ruajtur në heshtjen e saj një artefakt të çmuar, që mori përsëri fytyrë, një dëshmi që do t’i shërbente së ardhmes dhe do të ringjallte një mesazh të humbur, në thellësinë e shekujve. Falë kësaj dhurate të rrallë, antropologët dhe shkencëtarët grekë e suedezë mundën të rikrijonin, përmes teknologjisë digjitale, fytyrën e Myrtisit — jo thjesht si një imazh të së shkuarës, por si një pasqyrë të gjallë të njerëzores. Dhe papritur, pas njëzet e pesë shekujsh, nga një turmë njerëzish pa emër, të ruajtur brenda faqeve të një libri, ajo u kthye të na vizitonte. Portreti i saj, i rindërtuar me kujdes, na solli një vajzë të vërtetë, me flokët sipas stilit antik athinas dhe me sytë e kaftë, të thellë e melankolikë. Por në atë vështrim kishte diçka të papërcaktueshme: një brishtësi që ngjallte dhëmbshuri, një simpati deri në dedikim.Atë vogëlushe që e quajtën Myrtis, e cila, përmes historisë së saj të dhimbshme, e tragjike, frymëzoi dhe gjeti përkrahjen bujare, duke u shndërruar në një ambasadore globale të OKB-së dhe në një dëshmi të fuqishme humanitare. Figura e saj u bë një zë i heshtur, që fliste fuqishëm, në ndërgjegjësimin e opinionit publik “për vlerat e shëndetit dhe të parandalimit të sëmundjeve infektive”. …Një mëngjes të bukur nëntori, së bashku me mikun tim, u nisëm për të vizituar Muzeun Arkeologjik të Athinës. Sapo hymë në sallën kryesore, një e papritur e bukur më ndali përpara së kaluarës: përballë meje ishte skulptura e Myrtisit. Impresionet e saj, kapërcenin kufijtë e një skulpture të zakonshme, të idealizuar, duke i dhënë portretit një dimension të thellë njerëzor dhe një vitalitet të pazakontë. Nuk ishte bukuria e një statuje greke, as një figurë mitologjike, ishte një ikonë e thjeshtë, dhe pikërisht kjo e bënte më tronditëse. E vështrova gjatë, me një kureshtje që sa vinte e shtohej. Doja të kapja çdo detaj të fytyrës së saj, çdo gjurmë që koha kishte lënë, mbi atë portret të heshtur. E ndjeja veten të tërhequr prej saj, sikur ai shikim i menduar, të më kërkonte të ndalesha pak më gjatë. Nuk e kisha menduar se do ta takoja. Jo aty, jo atë mëngjes nëntori. Dhe megjithatë, ja ku ishte përpara meje, ajo vogëlushe që kishte ardhur nga larg, nga thellësia e shekujve, për të më kujtuar se e kaluara mbetej, me një akt simbolik…Qëndruam gjatë pranë asaj skulpture. Mua më rrethonin rikthimi i Myrtis dhe imazhet e kobshme, në kujtesë, të murtajës athinase. Ajo fliste pa zë, si një dëshmi e gjallë e sfidave të mëdha që ka përjetuar njerëzimi; ishte një metaforë e kujtesës, një thirrje e heshtur dhe një mesazh i fuqishëm kundër luftës, pandemive dhe çdo të padrejte, që kërcënon jetën dhe dinjitetin njerëzor. Në heshtjen e saj dukej sikur na kujtonte se paqja, shëndeti dhe jeta janë vlera, që duhen mbrojtur çdo moment. Ndërkaq na u afrua ciceroni,…“Kuptova që diçka dini për të”, tha…,madje pasi na spjegoi disa të veçanta interesante, e përfundoi retorikën me fjalët,…“Jeni me fat, pasi kjo skulpurë ndodhet këtu, tranzit, në një event ‘mikpritës’,…Madje ajo shëtit në sallat e muzeumeve të ndryshme, për tu ndodhur pranë të gjithëve”. I ngazëllyer nga ky takim i papritur, e plotësova në intuitën time mesazhin e saj, me fjalët e historianit “profet” Thukididit, që nuk e humbet njeriun. Por ai bëri diçka, ndoshta më të pa parashikuar: pa njeriun brenda së tashmes së vet. Dhe ajo qëndronte aty, e pa fjalë, ndërsa zëri i tij, përmes shekujve, dukej sikur i jepte kuptim asaj heshtjeje. Myrtis dhe Thukididi — dy dëshmi të një historie, që nuk pranon të heshtë. Ajo, viktima e pafajshme e një epidemie të lashtë; ai, dëshmitari që e shndërroi tragjedinë me mjeshtëri filozofike, në një mësim për brezat. Thukididi na kishte përshkruar imazhinë e katastrofës; ndërsa Myrtis na dha fytyrën e saj. Njëri kishte mbijetuar dhe mundi të shkruante, tjetra ishte sakrifikuar dhe nuk mundi të tregonte asgjë. Për shekuj ata qëndruan të ndarë: dëshmitari brenda librit, viktima nën tokë, por arkeologjia i bashkoi. Thucididi i ngjiti misionit dhe pasionit, kulturën e tij, duke u vetëvendosur, midis interpretimit historik dhe filozofik, me percepsionin e tij intuitiv. Narrativa e detajuar e pandemisë, nga autori që jo vetëm e përjetoi dhe mbijetoi heroikisht, por mbeti, për të përshkruar si “epidemiolog” i rrallë, natyrën dhe simptomat klinike të sëmundjes, më çuditi dhe mua si mjek me përvojë. Kjo dëshmi e shkruar më shumë se dy mijëvjeçarë më parë, akoma tingëllonte befasuese.Në përshkrimet e tij nuk pashë vetëm historianin që rrëfen një tragjedi, por edhe një vëzhgues të mprehtë të sëmundjes, që e ndiqte atë me syrin e një klinicisti dhe me përgjegjësinë e misionarit, me aq kulturë.
Historiani “Profet ”
Besoj se ky interpretim analitik, mund të shërbejë, si një leksion me vlerë dhe për studentët, e mjekët e rinj. Vepra e Thukididit mbetet një nga kryeveprat më të mëdha të prozës, që vjen nga shekulli V p.e.s., një monument i mendimit politik që vazhdon të lexohet, studiohet dhe konsultohet edhe sot nga “korifejtë” e botës politike. Në të, Thukididi ndërton me mjeshtëri atë që mund ta quajmë, “kurthi” i tij intrigues: një vështrim të thellë dhe autoritativ mbi demokracinë e parë, të vendosur përballë dy sfidave që u shfaqen njëkohësisht. Është po aq interesante dhe magjepsëse të ndjekësh gjurmët e këtij historiani të veçantë dhe përfaqësimin e tij dinjitoz, në kultura e periudha të ndryshme. Kjo është arsyeja pse Thukididi mund të rivlerësohet dhe sot, jo sepse historia mund të përsëritet mekanikisht, por sepse njeriu e shoqëron historinë, kudo që ajo shkon. Madhështia e fjalës së tij i ka mbijetuar kohës, duke kapërcyer kufijtë e epokave dhe të qytetërimeve, pa e humbur as forcën, as vlerat, nga një shekull në tjetrin, nga një kulturë në tjetrën. E veçanta e tij qëndron në faktin se, ai e lartësoi historinë, nga një tregim ngjarjesh, në studim të shkaqeve, fakteve dhe sjelljes njerezore, si modele, që do të projektonin konfliktet politike, shumë kohë mbas epokës së vet. Kjo i dha alegorikisht epitetin “historian profet”, pa një ndikim hyjnor!
…Rastësisht më vjen ndërmend, nga Bloomberg-u, i Marsit të vitit 2020, artikulli interesant i Andreas Kluth “To understand the world today, read Thucydides”. Aksioma e Thukidhidhit se “Fuqia përcakton të drejtën”, u përdor me dinakëri e diplomaci nga politikanët, të cilët lanë në hije vazhdimin se “lufta kërkon urtësi dhe jo violencë”! E çuditshme si puqen mendimet, mbas kaq vitesh…
Thukididi ka mbetur një zë i spikatur, që vazhdon të sfidojë mendimin dhe të frymëzojë lexuesin. Edhe në botën neomoderne, ai shfaqet me të njëjtin forcë të ideve, madje koha, në vend që ta zbehë, ia ka shtuar edhe më tepër madhështinë. Por, nuk mund ta kuptosh esencialisht jetën sot, pa studjuar “nëntekstet”, e të madhit, Thukididis…
…Ajo figurë, e ngrirë në statujë mermeri, duket sikur vazhdon të na flasi edhe sot: “Historia nuk është vetëm kujtim i së shkuarës, por një udhërrëfyes për të tashmen dhe për të ardhmen”. Në heshtjen e tij monumentale, na kujton se “Një shoqëri që di të lexojë historinë, di edhe të orientohet përpara”..
.
Murtaja e Athinës

Mrekullia e Tuqiditit

Tuqiditi
