-Shërbëtor, o vëlla, shqepu me të ngrënë, mbllaçit sa të duash, mos më vidh.!
-Faleminderit, zotni, faleminderit, unë nuk vjedh, unë marr për nevojë atë që dua…
-Mos merr asgjë pa lejen time! Dëgjove? Pastroji veshët, o kukudh !
-Faleminderit zotni, faleminderit! Po unë nuk e njoh kukudhin.
-O kokëgdhë,… të plaçin kokërdhokët, të plaçin! Nuk e njeh kryeofiqarin tonë ?
-A,aaaa… e njoh, e njoh, i bëj pazarin çdo mëngjes. Ç’t’i them prej teje, më falni, prej jush kur ta takoj?
-O pleshtamadh, ç’t’i thotë shërbëtori zotërisë? Eh, ku më mbive, o kukudh?
Si çdo ditë mbij me dy këmbë e dy pëllëmbë.
-Hiqmu sysh, dreq…i mbarë !
-Zotnia juaj, ju jeni me dhjetë gishta a me dhjetë duar ?
-O guak, o guaku im, shih gishtrinjtë e tu pis, thonj, plasa.
-Eh, janë gishtat e fatit, përsëprapthi.
-E, pra, nuk të shava kur të thirra kokëgdhë. Mund të ishe gjithçka, tani s’je asgjë.
-Këmbëvrap jam, më i mirë, më i shpejti e më i padukshmi në qytet. Marr e shpërndaj lajme gjithandej nga ura e Dajlanit tek Currilat, nga porti në Porto Romano, nga këneta, nga pisllëku.
Tjetri zgurdulloi sytë.
-Ti, zotnia im, prej meje merr vesh ç’bën bota, si e gdhin kjo botë.
-Të rejat që krisin, kush leh, kush na kafshon veç qenve i marr vesh para teje – iu gjegj menjëherë i zgurdulluari teksa e dëgjoi plot habi.
-Ooo, ç’më the ? Ti, i hipën motorit tënd e fluturon sa tek fabrika, sa tek banka, sa tek tatimet.
Syzgurdulluari shastisi fare.
-Ti përhera më ndjek mua nga pas ?
-Nuk ndjek askënd unë, jo. Mua më ndjekin çdo ditë policë. Nam të madh kam.
-Eh, turpi yt,…
-Ç’turp, zotnia jote ? Vodha, shplava burgun, tani jam i lirë. S’e mbaj më hajdutin me vete. Ti, rrofsh, më bëre me shtëpi.
-Shtëpia s’është vetëm e jotja. Po të vdesësh ti para gruas tënde ajo merr shtëpinë. S’u mendova fare kur ta dhashë ty.
-Lëre vdekjen në qoshenë e vet. Ta gëzoj ajo shtëpinë… !
(Zotnia e donte përkrahësin e vet. Aty i dhimbsej, aty e shante, aty i jepte hakun, aty ia përfliste.Po pse mendonte kaq shpejt për vdekjen e tij ? )
-Pastromi çizmet vëlla.
-Siurdhëron, kryeofiqari im, siurdhëron!
-Pastaj bëma xixë motorin.
-Siurdhëron,…
-Pastaj ….
-… të të pastroj hejbet poshtë ?…
(Ne, me njeri – tjetrin, afrohemi prej gjakut edhe ndahemi prej tij, afrohemi farefisni e një barku.
Shumojmë e pjestojmë ditët tona, blejmëshesim, japim me qera shtëpinë, shitoren, tokën. Njerëzit, herë – herë, e ndajnë kafshatën me njeri – tjetrin. Gaveta e ditës i ngop, nuk i ngop varfanjakët. Diku gaveta boshatiset nga gjuha që lëpin, diku thërrime tepëron.
Të qetë, grindavecë, shpesh kërcënonjës, të kërcënuar ne jetojmë përkrah njeri – tjetrit…sa më larg syve…)
-O vëlla shërbëtor, nesër në mesditë, do të vij tek fabrika kryeofiqari ynë.
-Ç’do kukudhi tek fabrika, zotnia im?
-Do të pres shiritin.
-Shiritin e kujt? Unë nuk di asgjë.
-Shiritin e bustit. Duhet pak art në hyrje të fabrikës. Në kujtim të gjyshit dhe të atit.
Të dielën në gjashtëdhjetë vjetorin tim do festojmë të gjithë tek Kodra e Kuajve.
-Gëzuar zotni, o vëlla!
-Në të vërtetë ai nuk është busti im. Më ngjan mua. Herë më duket se jam unë aty, herë sikur iki me vrap gjithandej rrotull fabrikës.
– Ç’më hutove zotnia im, ç’më hutove.
– Nuk është busti im i gjithi. Më ngjan. Ç’është e vërteta po s’më ngjau mua kujt do t’i ngjaj ?
(Eh, bela e madhe me këto buste. Një s’gjen vendin e vet. Nxitimthi e venë aty ku i merren mendtë. Nga nguti i vendit dhe i padurimit ndihet ngushtë. Dikush tjetër rrokulliset sa andej-këndej. Një tjetër bust fle prej kohësh në ndonjë haur. Fle aq gjatë sa vështirë t’ia pastrosh sklepat po doli ndonjëherë që andej.
Diku një bust i ngjan e s’i ngjan dikujt. Veliera pa dallgë mrrudhet. Sfinksi, shkallë – shkallë, gunga – gunga përpin e shkërrmoq perëndimet mbi det.
Sa i pafundmë Deti – Krishti ynë ujor ! Po pse e qarkojmë me tela, me harqe?
Bindem se amfiteatri, teatri me emrin Aleksandër, shëtitorja ” Moikom Zeqo ” jetojnë plot frymëmarrje aty ku prehen.)
*
Njeriu i panjohur po shkundej i gjithi akoma. Baltovinë, currila uji, shkurre. I pa të dy : si zotninë, si shërbëtorin. Iu tymos mendja. Donte t’i takonte. Po sikur të mos takonte asnjerin prej tyre veç t’i dëgjonte akoma?
Shihte shërbëtorin, ai i shfaqej aty për aty edhe zotni, shihte pasunarin me toka e fabrikë, ai i shfaqej shërbëtor. Njeriu i padukshëm i njihte të dy i kishte t’afërm, shumë t’afërm, por ndërkohë një jetë pa u parë ata iu bënë paksa të mjegullt.Më shumë mjegullorë tani.
Po si i njohu të vetët vetmuar gjatë prej tyre ? I (pa) njohuri erdhi nga nëndheu me mall për t’i takuar të tijtë. I pa të dy, i dëgjoi qysh nga fjala e parë.
(T’i gëzohemi botës së njeriut a njeriut përballë botës? Ç’ka duam e mbjellim në jetë a ia rrëmbejmë jetës me thonj?-
belbëzoj njeriu i padukshëm nga të vetët.)
Oooo, ç’paturpësi, oooo, oh-belbëzoi veç për vete. Gulçi iu bë grackë, rrëmujë, pështymë, gëlbazë dheu.
-Djemtë e mi këta ?! Do të iki, të iki, ika. … I padukshmi iku pafundësisht atje ku njerëzia dinë të sillen mirë e bukur, atje ku njerëzit takohen akoma me njëri -tjetrin, pijnë çaj, kafe…