VOAL

VOAL

Selami: I urova Bashës fitoren, do të punoj që PD të bëhet shpresë për shqiptarët

Eduard Selami thote se e respekton votimin dhe se i ka uruar zotit Basha fitoren ne zgjedhjet per kryetarin e ri te PD.

 

“Pavaresisht rezultatit do kontribuoj per ngritjen e PD. Gara ishte e pabarabarte por do vijoj kontributin tim ne PD” u shpreh ai ne nje deklarate per mediat nga selia blu.

“Jam një hap para forcimit të PD. Më lejoni të falënderoj të gjithë ta që votuan në këto zgjedhje, që u morën me zgjedhjet, që u morën me vizionin tonë. Kjo është demokracia dhe ka një votim. E kam telefonuar zotin Basha sot dhe i urove fitoren. Jam gati për bashkëpunim.”, shtoi ai.

MESAZHI I SELAMIT NE FB:

I falenderoj të gjithë ata që na votuan, të gjithë votuesit e PD, të gjithë ata që votuan vizionin tonë, i cili mendoj se ishte vizioni më i mirë për ta ringritur PD, për ta bërë dhe një herë shpresë për demokratët, për të djathtët dhe për Shqipërinë.

Tashmë unë jam një demokrat krenar si gjithmonë, anëtar i seksionit të njësisë dy, dega Tiranë. Unë do të vazhdoj kontributin tim si anëtar i PD, që Partia Demokratike të kthehet dhe një herë shpresë për të gjithë shqiptarët.

Intervistë me Fatmir Merkoçin, simbolin e 20 Shkurtit ’91

 

Intervista e avokat Fatmir Merkoçit dhënë më  2015 për “Sot”

Merkoçi hedh poshtë tezën se rrëzimi i bustit të Enver Hoxhës ishte skenar i parapërgatitur i Ramiz Alisë, ndërsa dhuna policore ka qenë e pashembullt. Ai ka pohuar se në 20 Shkurt, Neritan Ceka nuk ka ndaluar turmat e drejtuara nga Blloku. Ceka atë ditë është futur në Hotel Dajti. Merkoçi shton se Ceka i ka ndaluar turmat me urdhër të Berishës, një ditë më pas, pra në 21 Shkurt.

-Z. Merkoçi, çfarë mbani mend nga 20 Shkurti 1991, ditë në të cilën edhe jeni plagosur?

Fatmir Merkoçi: Në datë 19 Shkurt, te Pallati i Kulturës, u mblodh sindikata (BSPSH), ku u vendos që në datën 20 Shkurt t’u bëhej thirrje të gjithë për të dalë në mbështetje të grevës së urisë, organizuar nga studentët. Kjo deklaratë u dha në lajmet e orës 20:00 tek TVSH dhe në orën 22:00, po prap ky televizion e quajti manifestimin e paralajmëruar si një grumbullim të paligjshëm. Atë natë, bashkë më Gëzim Shimën, kryetar i BSPSH, ramë dakord që ky grupim, nëse do të ishte i madh, të drejtohej drejt Komitetit Qendror, për të protestuar. Këtë deklaratë që po ta them është e para herë që e artikuloj, pasi ka shumë manipulatorë, të cilët kanë manipuluar edhe Presidentin e Republikës, pa qenë protagonistë. Në datën 20 Shkurt jemi takuar me grupin e studentëve tek “Shtatë Xhuxhat” dhe jemi ngjitur lart në Qytetin Studenti. Baudini kishte sjellë qendrën e zërit nga Kombinati i Autotraktorëve. Ishte vendosur përballë godinës 18, në mos gaboj. Në këto momente sheshi ishte i mbushur, por vazhdonte të mbushje edhe më tej, deri ky shesh arriti në një masë të tejmbushur. Në këto momente Gëzimi qëndron poshtë bashkë me grupin për të kontrolluar dhe drejtuar turmën, ndërsa ne u ngjitëm në katin e katërt. Aty kishte një tribunë, ku gjithkush mund të fliste pa dallim dhe pa censurë. Pas pak kohë, në derën e kësaj godine shfaqen dy policë, të cilët kërkuan që të mbyllnim këtë tribunë të fjalës së lirë duke e quajtur të paligjshme. Në ato momente, Ilia Terpini xhironte me kamerën e tij. Të pranishme ishin edhe dy vajza që unë i njihej, Rajmonda Bulku dhe Marjeta Laja. Në këto momente, pas kundërshtimeve që i bëra, policia tentoi të përdorte forcën dhe të merrte kamerën. Njëri polic nxjerr armën, duke kërcënuar se do të qëllonte nëse nuk e mbyllnin dhe nuk i dorëzonim kamerën.

-Si u shmang kjo stistë dhe si u orientuan njerëzit drejt institucioneve dhe Sheshit Skënderbej?

Fatmir Merkoçi: Duke parë gjendjen e vështirë, kam marrë mikrofonin dhe i kam thënë Mondës që të nxjerrë njerëzit në bulevard. Ajo bën thirrje, ku thotë: “Gratë dhe motrat të dalim tek Presidenca”. Në këtë moment i marr mikrofonin Mondës dhe them: “Të gjithë në bulevard”. Ndërsa mora kamerën dhe Ilian për të zbritur poshtë. Aty bashkohemi me njerëzit dhe marrim rrugën drejt Ambasadës Amerikan dhe tek Liceu Artistik. Disa njerëz tentuan të futen tek radio, njerëz të cilët i kam ndalur falë edhe gazetarëve. Kështu vazhduam rrugën për në bulevard. Tek Kryeministria ishin rreshtuar ushtarët e Gardës. Në këto momente policia filloi të përdorte ujë me ngjyrë dhe gaz lotsjellës. Pra, filloi dhuna mbi ne. Ajo që të bënte përshtypje ishte fakti se në drejtimin tonë nuk po vinim më demonstrues, pasi tek Liceu ishte vendosur menjëherë një gardh ushtarësh. Përfundimisht, ne, si pjesa e parë e demonstruesve kishim mbetur në grackë mes Liceut dhe Kryeministrisë. Pasi e panë se nuk po tërhiqeshim dhe i’u afruam gardhit të Kryeministrisë, ata nuk na lejuan të vazhdonim rrugën për në bulevard. Pas disa tentativash, arrita të komunikoi me komandantin e tyre, i cili deklaroi se do të përdorte çdo mjet që ne të mos kalonim. Në këtë moment, ai urdhëroi togën e ushtarëve me komandën armë-mbush! Në irritimin e tij të skajshëm dhe komandën zjarr. E gjithë toga qëlloi, por jo drejt nesh, por në ajër. Stepja nga ana jonë ishte e madhe. Megjithatë, komunikojmë sërish me komandantin, si cili thotë se nëse do të dilnim në bulevard, do të dilnim vetëm nga Inima, pra një rrugë tjetër.

-Cili është roli i Neritan Cekës në rënien e bustit të Enver Hoxhës?

Fatmir Merkoçi: Ne dolëm në bulevardin kryesor, ku unë kam shpalosur një flamur dhe kam marrë gjithë drejtimin për në sheshin “Skënderbej”. Te ura ishte vendosur një gardë e madhe ushtarësh dhe nuk na lejuan që të kalonim, ne vendosëm të kalonim te sheshi “Skëndërbej”. Në bulevardin kryesor, në krah të Hotel “Dajtit” kam parë Neritan Cekën. Unë e kam parë që Neritan Ceka u fut te Hotel “Dajti” dhe nuk doli. Neritan Ceka nuk ka asnjë rol më 20 shkurt, ai nuk ka lidhje në këtë ngjarje.

-Në cilën datë Neritan Ceka ka kërkuar të ndalojë demonstratën e studentëve?

Fatmir Merkoçi: Më datën 21 Shkurt ne kemi tentuar të futemi në Komitetin Qëndror dhe aty Neritan Ceka ka dalë dhe ka hipur sipër tankut, duke thënë: “Kthehuni, nuk do derdhim gjak”! Në këto momente kam pasur një debat me Cekën, i kam thënë se pse ka ardhur, ndërsa ai më ka pohuar nga goja e tij: “Nuk kam ardhur vetëm, por me porosi të doktorit”.

-Si jeni plagosur?  

Fatmir Merkoçi: Duke qenë se u ngjitëm në bulevard dhe morëm rrugën drejt sheshit, u futëm poshtë lulishtes dhe kam hipur te Skënderbeu. Aty kemi qëndruar rreth 10 minuta, sheshi ishte i rrethuar nga forcat e rendit, kishte makina të blinduara. Më kujtohet një djalë kur sulmoi makinën e blinduar dhe pas një qëndrimi 10 minutash, i them djemve se ne nuk kemi çfarë të bëjmë këtu, nuk kemi ardhur për të parë spektakël dhe ju thashë që të zbrisnim poshtë. Zbritëm poshtë dhe dolëm në krah të bankës të stacionit të autobusit. Pas disa 3-4 tentativave luftë me policinë arritëm ta thyenim këtë gardë. I gjithë sheshi ishte i rrethuar nga policia dhe policia nuk mund të vinte vetëm te ne, atëherë arritëm që të kalonim këtë gardë. Arritëm të hipim në piedestal dhe mund të kemi qenë rreth 20-30 vetë. Unë kur arrita të hip në piedesal, shpalosa një flamur pa yll, për të cilën më vjen keq se e humba atë ditë. Të gjithë njerëzit ishin aty dhe filluan të godasin përmendoren me duar pasi nuk kishim asgjë me vete. E theksoj se nuk kishin asgjë me vete, pasi dua të shuaj ato zëra që pretendojnë që rënia e monumentit të diktatorit ka qenë e parapërgatitur. Unë si protagonisti apo si udhëheqësi i kësaj demonstrate, nuk njoh asnjë njeri i cili të më ketë komanduar për në shesh për të rrëzuar monumentin e diktatorit.

-Kur lëvizja ishte spontane, nga dolën mjetet për ta rrëzuar monumentin e diktatorit Enver Hoxha?

Fatmir Merkoçi: Ne nëse do ishim të organizuar për ta hedhur, atëherë ne do kishim edhe mjete me vete. Për sa kohë ne nuk kishim asgjë me vete, por çdo gjë që është marrë, është marrë në mënyrë spontane dhe përsa kohë që ato pllaka mermeri të cilët sot askush nuk do të mund t’i hiqte me duar, ne i kemi hequr. Le të dalë dikush dhe të thotë se unë kisha mjetet e nevojshme për të hequr pllakat. Asnjë nuk kishte litar me vete. Litari është marrë nga njerëzit mbrapa përleshjes me policinë. Kur u pushtua piedestali, forcat e policisë dhe të ushtrisë përdorën çdo lloj mjeti kundër nesh. Përdorën dhunë kundra nesh, ndërkohë një helikopter na monitoronte nga lart. U përdor arma. Nëse do ishim të përgatitur, do të bënim një rënie ose një organizim tjetër. Qëllimi jonë ishte nëse njerëzit do i përgjigjeshin thirrjes tonë, ne do t’i nxirrnim para Komitetit Qëndror për të protestuar. Njerëzit nuk ishin të përgatitur për ta rrëzuar atë monument. Dhuna, armët, zjarri që ata përdorën, ndoshta ishte shtytja më e madhe e një urrejtje për të bërë më pas dhe atë veprim që u bë. Te “Vdekja e Kalit” është një xhirim bruto. Aty shihet që e gjithë situata precipitoi në momentin kur unë isha sipër piedestalit dhe jam qëlluar me armë në kokë. Përveç goditjes, kur kam rënë poshtë ndaj meje është përdorur dhunë tej mase fizike. Ata djem që ishin aty, të cilët i falënderoj, më kanë ngritur në krah dhe në momentin kur më kanë transportuar për të vdekur, atëherë ndodhi që edhe vetë policia u step, u tremb, sepse u mendua se ndodhi një “vdekje”. Më pas shpërtheu një revoltë e madhe e popullit.

-Çfarë ndodhi më pas me ju?

Fatmir Merkoçi: Më dërguan në spitalin numër 2, gjithmonë e dinin se isha një person “i vdekur”. Unë jetën time ia kushtoj prof. Arjan Xhumarit. Në momentin që më pa, më morri dhe më dha ndihmën e parë.

-Pra juve ju humbi momenti i rrëzimit të bustit?  

Fatmir Merkoçi: Po, më ka humbur për punë minutash. Sepse më çuan në spital dhe atje më mori për kurim neurokirurgu Arjan Xhumari. Ai më shpëtoi. Pasi ndenja nja dy orë në spital, kur u përmenda dëgjova infermieren që kërkonte identitetet e mia dhe Arjani po i’a jepte. E ndjeva që duhej të ikja. U çova, por rashë prapë. Pasi më bënë disa gjilpëra u çova. Infermieres i thashë se do të shkoja në banjo. Dola nga spitali 2, te dera dhe aty pashë një çun me motor të vogël. I thashë të më çonte në qendër. Ai më dha lajmin: “Ka ra Enver Hoxha”. Kur? – e pyeta. “Ka nja një orë”-mu përgjigj. Kjo ishte gjithë ajo ditë. Më pas shkova në Qytetin Studenti ku u bashkova me të tjerët. Në fund dua të them se ne nuk u nisëm për të rrëzuar shtatoren atë ditë.

-Si pasuan ngjarjet pas rrëzimit të bustit?

Fatmir Merkoçi: Politika nuk e priti mirë dhe kur them politika, i kam parasysh të gjithë. Si pozita edhe opozita. Unë pata shumë reagime personale për atë akt, deri në mohim të aktit, sa shumë prej tyre filluan të abuzonin. Pastaj në 1995, Ali Begeja, kameraman në televizion, bëri një ekspozitë për 20 shkurtin te Muzeu Historik dhe më thotë dikush. Atje pashë dy fotografitë e mia të mëdha në momentin kur më kanë ngritur dhe më pas kur më hipën në makinë për të më çuar në spital. Isha edhe në filmime. Këto filmime janë përdorur siç janë nga pjesa te kryeministria te filmi ‘Vdekja e kalit”, me imazhet e trupit tim janë në film.

-Pas plagosjes, cilat ishin kontaktet me pjesën e regjimit. Kishte tentativa për ta manipuluar këtë ngjarje?

Fatmir Merkoçi: Shtëpia ime ka qenë e survejuar. Unë kam qëndruar te shoqëria ime dhe të gjitha veprimet në atë kohë i bëja publike. Nuk qenë i fshehur, falë edhe një organizimi që bënim në atë kohë me sindikatën. Unë gjithmonë dilja në bulevard dhe jo skutave. Urrejtja e tyre ishte shumë e madhe, por nuk kishin më forcë që ta zhbënim ngjarjen që ndodhi. Ata kishin një metodë shumë të fshehtë, pasi nuk mbanin protokolle në atë kohë.

-Pse e keni refuzuar dekorimin nga ish-Presidenti Bamir Topi?

Fatmir Merkoçi: Nga viti 1996 ishte dikush që kërkohej të merrte flamurin e datës 20 shkurt. 20 shkurtin kanë dashur shumë ta marrin si atribut të tyre, por në 1994 Ali Begeja bën një ekspozitë te Muzeu Kombëtar dhe falë kësaj ekspozite ai pasqyron dy foto e mia ku unë jam plagosur dhe jam ngritur në krah dhe një foto ku jam futur te makina. Falë këtyre fotove u dokumentua që ai person isha unë, pasi kanë dalë shumë njerëz që kanë dashur ta marrin si atribut të tyre.

-A ka emra konkretë që kanë dashur ta marrin këtë ngjarje si atribut të tyre?

Fatmir Merkoçi:  Atributin që kanë dashur ta marrin, janë të gjithë ata që janë dekoruar nga ish-Presidenti Bamir Topi. Një vit përpara se të bëhej dekorimi, më vjen një gazetar i cili quhet Ferdinand Dervishi dhe kërkon të pijë kafe me mua. Ai më thotë se për ju shkruhet shumë në internet dhe janë dërguar shumë e-maile dhe se janë dekoruar shumë njerëz që ne nuk i njohim, por atë që u plagos të cilin ne e kemi mbajtur në krah pse nuk është dekoruar? Unë i thashë nuk e di. Atë ditë më ftuan dhe më thanë se duhet të shkoja pasi do më dekoronte Presidenti Topi. Unë vajta në Presidencë, në ceremoni zyrtare ishin përfaqësues të grupit diplomatik. Realisht aty pashë që edhe ata njerëz që dekoronte Presidenti, ishin gazetarë, operatorë dhe kameramanë që nuk kishin lidhje me ngjarjen, por bënin punën e tyre. Z. Topi më dekoron me titullin “Ithtar i demokracisë”. Unë i them se përpara se ta marrë këtë dekoratë, dua të lëshoj një mesazh për politikën: “Ne si popull jemi ndarë nga diktatura qysh më 20 shkurt kur kemi hedhur monumentin. Nuk kemi pasur kurajën civile, morale dhe ligjore për të dënuar krimet e komunizmit dhe për t’u hequr titujt në radhë të parë Enver Hoxhës, titullin “Hero i Popullit”, të cilin e mban edhe sot. Përsa kohë ju nuk i hiqni titullin, nuk dënoni komunizmin, unë këtë dekorim nuk e pranoj”. Përfaqësuesit e ambasadës gjermane më falënderuan për gjestin.

-A jeni njohur me librin e Preç Zogajt dhe a konstatoni pasaktësi në rrëfimet e tij rreth kësaj ngjarje?  

Fatmir Merkoçi: Unë e kam marrë librin jo se doja ta merrja, pasi më thanë se kishte shkruar për 20 shkurtin. Mund të them se Preç Zogaj ka marrë një guxim shumë të madh, që ka bërë një libër, ku nga fillimi nuk ka asgjë të saktë çfarë thotë. Në rastin e 20 shkurtit ka ngritur në piedestal heroin e tij, ndërsa emrin tim e ka vënë si në kronikat e zeza, “u plagos filani”.

-Sipas jush, kush janë protagonistët realë të këtyre ngjarjeve?  

Fatmir Merkoçi: Protagonistët kryesorë janë Bashkimi i Sindikatave të Pavarura. Ne që e organizuam dhe e themeluam atë sindikatë.

-Po Lëvizja Studentore, çfarë roli kishte?

Fatmir Merkoçi: Lëvizja Studentore ishte thjesht një shkëndijë për kërkesën e tyre. Studentët na kanë ndihmuar në grumbullimin e forcës sonë, edhe ne i dhamë ndihmën tonë studentëve.

 

Braçe – Panaritit: Kujt ia dhatë 49 milionë dollarë? Po Balilajve 90 hektarë në Përmet?

Erjon Braçe ka reaguar sërish ndaj ministrit të Bujqësisë, Edmond Panariti.

Reagimi:

Edmond!

U be e disata here qe pa te permendur kush, gerdufesh!

Madje madje, e ben duke harruar qe je ende minister, te mbajne ende ne karrige per firmat e fundit, por duke e fshire kete fakt kercen te besh opozitarin me pushtet!

Na fakt, ty te kerkojne te pergjigjesh per tjeter gje;

Prej dy ditesh, per ceshtjen e 90 hektareve dhene Balilajve ne Permet, larg prej zones se tyre te influences.

Dhe jo vetem ato xhanem; jane edhe 60 hektare te tjera te shkolles se mesme bujqesore te Sarandes, te cilat, kane pesuar te njejtin fat!

Te te pyes Edmond;

Perse nuk flet ti per keto qindra hektare super toka bujqesore?

Se pertej tyre, jane 26 mije hektare qe tu besuan ty te beje ekonomi me to!!

Padiskutim merru me mua, por pergjigju per keto firmat e tua njehere.

Mua ketu me ke, ketu kam qene e ketu jam, ketu do jem.

Nuk kam as timon e as tepsi, kam thjeshte ate qe kam patur-nje kontrate pune si deputet ne nje zone bujqesore dhe, jam gati te deshmoj per favoret fiskale qe une, koleget e mi ne komision, te kemi dhene, madje pa i patur fare ti ne mendje;

Por edhe per parate, po po patjeter parate, vetem ato i interesonin ministrit tend vendimmarres dhe tys i firme!

Une nuk kam fituar gje, vec kesaj pune!

Ti po, ke fituar, ishe hic por per te firmosur, tani je deputet!

Ne ane tjeter, e kam te veshtire te flas me ju per bujqesine;

Ju e dini bujqesine lope dhe, cicat e lopeve frigorifer ku depozitohet qumeshti e nuk prishet, tamam kur fabrikat shpallin pushim per shkak te tregut te taposur nga bulmeti me niseshte apo qumesht pluhur, i pademshem per shendetin sipas teje.

Por ka edhe nje arsye tjeter; ti nuk je ministri i bujqesise, minister eshte ai tjetri!

Ai eshte per te vendosur, ti je per te firmosur, ai eshte per te ndare tokat, ti je per te heshtur, ai eshte per te ndare parate, ti je per tu ankuar per parate.

Kaq! Asgje me shume!

Ta kam thene, te kane lene pjesen me te poshter te rolit;

Parate nuk do mjaftojne kurre per bujqesine tone, por parate nuk i mjaftojne as hajdutit!

Ndaj e ke kauze te humbur kete;

E di pse?

Sepse keni shperndare 49 milion dollare, ai duke vendosur e ti duke firmosur;

Çfarë i keni bërë? Kujt ia keni dhënë?

Më trego vetëm një emër bujku në Divjakë e Lushnje të cilin ju e keni ndihmuar me këto para!

Vetëm një emër!

Emër të një bujku të zakonshëm, jo të një grumbulluesi aga nga ata me teserën e partisë tënde!

Kam kater muaj qe te kerkoj vetem nje emer!

Parate ishin, parate ju i keni shperndare, por kurre tek bujqit e zakonshem!

Ndaj ti nuk njeh kend nga ata, ti njeh thjesht agallaret;

Jane ata qe percaktojne cmimet pa asnje logjike ekonomike, nen kosto per bujqit, madje 50% nen kosto, duke i marre shpirtin bujkut prodhues, edhe parate per te mbjelle serish.

Ai duke vendosur e ti duke firmosur ne favor te nje grushti grumbulluesish te partise;

Kthyhet punen ne bujqesi ne nje pune ku bujku nuk fiton prej saj, por humbet dhe parate qe investon.

Do ta heqim TVSH per imputet Edmond;

Ti kurre nuk e propozove, madje dhe fushaten ti dhe kryetari yt e niset nga Petova me TVSH 10%, edhe kete si reflektim pas rrahjes nga bujqit per cmimet e domateve atje.

Por cmimet e kastes se grumbulluesve abuzive qe ti krijove, do ta kthejne ne fitim per vete dhe zero te ardhur per bujkun.

Sepse ky eshte sistemi qe ndertove!

Sistemi qe ju ka marre shpirtin bujqve!

Ne fund, keto mufkat si “lehtesi fiskale” qe i thua me lehtesine e te papergjegjshmit-shisni prodhimin pastaj paguani energjine, ndaji me ndokend qe rri e ben sehir sic ju, jo me ata qe punojne.

Nuk kane kohe te degjojne, kane pune.

Per punen kerkojne ndihme, kerkojne drejtesi, kerkojne tregje edhe te hapura, edhe te arritshme, edhe te ndershme, ketu e kudo ne Evrope.

Ti nuk e bere dot!

Ndaj hesht!

Deri diten qe letrat me vendimet e atij e firmat e tua, do jene te hapura e te kontrollueshme.

Bashke me emrat e perfituesve, te tokave e parave.

Patjeter me emrat e tyre, perputhur me ligjshmerine padiskutim!

Votimi për kreun e ri të PD-së, Komisioni jep njoftim të rëndësishëm

Sot demokratët votojnë për të zgjedhur kreun e ri të partisë së tyre, ndërsa në garë marrin pjesë Lulzim Basha dhe Eduard Selami.

Nje ore pas nisjes se votimit, Komisioni i operacioneve elektorale njofton se procesi zgjedhor ka nisur në mënyrë të rregullt në të 73 komisionet e 68 degëve të Partisë Demokratike.

Gjithashtu mësohet se në selinë qendrore ku voton dega nr. 2 e PD Tiranë, kanë filluar të votojnë anëtarë të Këshillit Kombëtar dhe deputetë të PD-së. Në orën 8.00 të mëngjesit anëtarësia e PD-së i është drejtuar kutive të votimit.

Zgjedhja e kryetarit të PD do të bëhet me parimin një anëtar një votë, dhe mbahet pas një fushate intensive që kanë kryer kandidatët Lulzim Basha dhe Eduard Selami, në çdo degë të PD, në gjithë vendin.

Nis votimi 

Procesi i votimit ka nisur në orën 08:00 te mengjesit dhe ne te marrin pjese 103 mije anetare të PD-së.Numri i saktë i anëtarësisë së PD-së u nxor pas riorganizimit të listave

Lulzim Basha dhe Eduard Selami janë dy kandidatët e vetëm në garë. Përmes një shorti të hedhur në Komisionin e Organizimit Zgjedhor në PD, është përcaktuar edhe renditja në fletën e votimit, ku kryetari aktual, Basha, do të jetë i pari dhe sfiduesi i tij, Selami, do të ketë numrin 2.

Lulzim Basha kërkon një mandat të dytë në krye të Partisë Demokratike dhe gjatë gjithë fushatës ka premtuar se do t’i bashkojë demokratët që të arrijë ta sjellë PD në pushtet.

Edhe Eduard Selami kërkon një mandat të dytë si kryetar, por ndryshe nga Basha, mandatin e parë dhe të vetëm si kryetar, Selami e ka pasur në vitet ’92-’95. Pas 16 ditësh fushatë intensive, dy kandidatët përmbyllën turin në 68 degë të PD në të gjithë vendin, ku në 4 raste zhvilluan edhe takime publike mes njëri-tjetrit.

Gjatë gjithë ditës së premte, anëtarët e komisioneve të votimit, në 73 komisione të ngritura në të gjithë vendin, janë pajisur me bazën materiale dhe pasditen e djeshme është konfirmuar se është gjithçka gati për zhvillimin e zgjedhjeve në PD. Do të jenë 103.952 anëtarë të PD me të drejtë vote në të gjithë vendin, që do të zgjedhin kryetarin e ri të PD-së për katër vitet e ardhshme

***

Selia blu bëri dje me dije se të gjithë anëtaret e Partisë Demokratike janë të ftuar të marrin pjesë e të shprehin verdiktin e tyre se kush duhet ta drejtojë Partinë Demokratike në 4 vitet në vijim.

“Të gjithë anëtaret e Partisë Demokratike janë të ftuar të marrin pjesë e të shprehin verdiktin e tyre se kush duhet ta drejtojë Partinë Demokratike në 4 vitet në vijim. Votimi hapet ne orën 8 te mëngjesit dhe mbyllet në orën 19.00. Zgjedhja e kryetarit të PD është me parimin një anëtar një vote, dhe mbahet pas një fushate intensive qe kane kryer kandidatet Lulzim Basha dhe Eduard Selami, ne çdo dege të PD në gjithë vendin. Votimi nesër do të zhvillohet ne 68 qendra votimi në të gjitha degët e PD sipas listës më poshtë. Ftojmë të gjithë anëtaret e Partisë Demokratike të marrin pjesë në zgjedhjet e nesërme!

Belsh Ambient Privat Bardhul Tafani

Berat Selia e Degës

Bulqizë Selia e PD Bulqizë

Cërrik Ish-Zyra Elektorale, lokali i Sami Shtylla

Delvinë Hasan Alizoti

Devoll Qendra Kulturore e Fëmijëve Bilisht

Dibër Pallati Kulturës

Durrës Pallati i Kulturës

Elbasan Teatri “Skampa”

Fier Holli i Kinoteatrit Fier

Fushë Krujë Selia e Degës

Gjirokastër Kinoteatri “Zihni Sako”

Gramsh Selia e Degës

Has Selia e Degës

Himarë Pranë shkollës 9-vjeçare Himarë

Kamëz Pallati i Kulturës

Kavajë Qendra Kulturore ” Aleksandër Moisiu”

Këlcyrë Lokal Elton Ademi

Kolonjë Selia e Degës

Korçë Selia e Degës

Krujë Selia e Degës

Kuçovë Selia e Degës

Kukës Pallati Kulturës “Hasan Prishtina”

Kurbin Pallati Kulturës Laç

Lezhë Pallati i Kulturës

Librazhd Selia e Degës

Lushnje Selia e Degës

Malësi e Madhe Selia e Degës

Maliq Selia e Degës

Mallakastër Pallati Kulturës, Ballsh

Mat Selia e Degës

Memaliaj Selia e Degës

Mirditë Pallati Kulturës

Paskuqan Selia e Degës

Patos Pallati i Kulturës

Peqin Selia e Degës

Përmet Qendra Multikulturore (Shtëpia e Kulturës)

Pogradec Pallati i Kulturës

Poliçan Zyra elektorale, Bulevardi Kryesor

Prrenjas Selia e Degës

Pukë Selia e Degës

Roskovec Selia e Degës

Rrogozhinë Kinemaja

Sarandë Selia e Degës

Selenicë Fshati Peshkpi, Ambient Privat Daver Kuci

Shijak Pallati i Kulturës

Shkodër Selia e Degës

Skrapar Selia e Degës

Tepelenë Selia e Degës

Tirana 1 Selia e Degës

Tirana 10 Selia e Degës

Tirana 11 Selia e Degës

Tirana 12 Selia e Degës

Tirana 13 Selia e Degës

Tirana 14 Ambient privat në Tufinë

Tirana 2 Selia Qendrore e PDSH-së

Tirana 3 Selia e Degës

Tirana 4 Selia e Degës

Tirana 5 Zyra elektorale, pll Fratari, rr. Ismail Qemali

Tirana 6 Selia e Degës

Tirana 7 Selia e Degës

Tirana 8 Selia e Degës

Tirana 9 Selia e Degës

Tropojë Muzeu Historik

Ura Vajgurore Selia e Degës

Vau Dejës Lokali “Armando”, Stajkë, Nj.A Bushat

Vlorë Pallati Labëria

Vorë Ish-Zyra Elektorale, Rr. Rinia Qendër Vorë

Zëri i Amerikës: Tubim i lëvizjes për bojkotin e garës Basha – Selami

Grupi i nismëtarëve të një lëvizje politike brenda partisë demokratike zhvilluan në mbrëmje një takim të gjerë publik me qindra përkrahës, duke bërë thirrje për bojkotimin e zgjedhjeve të të shtunës për postin e kryetarit të kësaj partie.

Besnik Mustafaj, një nga themeluesit e PD-së, tha para auditorit se ai nuk do të marrë pjesë në votimet e të shtunës, sepse nuk dëshironte të bëhej pjesë e një gare farsë midis konkuurentëve Lulzim Basha dhe Eduard Selami. Ai tha se zhvillimet e të shtunës do ta futin këtë lëvizje brenda PD-së në një etapë të re.

“Me marrëveshjen me Edi Ramën, Basha nuk shkatërroi vetëm PD-në por gjithë të djathtën shqiptare – tha zoti Mustafaj. – Duke i kërkuar dhe imponuar PD-së zgjedhje të lira e të drejta, garë të ndershme e transparente, kthimin e saj në një hapësirë lirie dhe debati, lëvizja jonë do të sjellë ringritjen e të djathtës shqiptare dhe këtë nuk mund tja mohojë as Rama as Basha”.

Një tjetër pjesëtar i kësaj lëvizje, Astrit Patozi, tha në tubim se ata po përpiqen ta shërojnë Partinë Demokratike nga garat farse, sepse ajo ka nevojë për garë të drejtë dhe jo për farsa.

Ai u bëri thirrje demokratëve që të refuzojnë garën e 22 korrikut Basha – Selami, sepse ato nuk janë zgjedhjet e tyre, zgjidhja e hallit të Bashës për të mbajtur karrigen e kryetarit.

“Humbja dërrmuese e Bashës më 25 qershor dhe fitorja e pamerituar e Ramës u ka ulur kokën demokratëve. Nëse 22 korriku nuk do të ndalet, asgjë nuk do të jetë më si më parë. Ne nuk mund të bëhemi pjesë e një maskarade që synon rrëmbimin në mes të ditës të mandatit të kryetarit të PD-së” – tha zoti Patozi.

Tubimi i zhvilluar në Tiranë ishte i fundit pas një serie takimesh në rrethe dhe një ditë para zgjedhjeve në partinë demokratike për postin e kryetarit.

Zëri i Amerikës: Gara në PD, fushata e zotit Basha

Në Shqipëri drejtuesi i Partisë Demokratike Lulzim Basha po kërkon një mandat të dytë në krye të forcës kryesore opozitare në votimet që do të mbahen nesër. Pas humbjes së thellë në zgjedhjet e 25 Qershorit dhe kritikave të forta nga brenda, që e bëjnë atë përgjegjësin kryesor, zoti Basha gjatë gjithë fushatës i është përmbajtur qëndrimit se rezultati ishte diktuar nga shitblerja e votës. Ai nuk i është përgjigjur akuzave të shumta për mënyrën se si ka drejtuar partinë apo dhe organizimin e garës për kryetarin, ndërsa premton se në të ardhmen vendimmarrja do t’i kalojë anëtarëve të thjeshtë:

Fushata e zotit Basha u zhvillua e mbyllur, dhe për publikun u servirën vetëm pamjet dhe deklaratat e përzgjedhura nga stafi i tij. Mediat asnjëherë nuk u pranuan të ndiqnin takimet dhe as ato pak raste debati që zhvilloi me rivalin tjetër në garë Selami, pas kërkesës së këtij të fundit.

Në takimet e para të fushatës së tij zoti Basha deklaroi se “Marr përgjegjësitë e mia dhe pranoj përgjegjësitë e mia në këtë proces. Gabimet e mia janë të gjitha politike, sepse prej minutës së parë asgjë se kam bërë për veten time, për pushtetin tim, apo për karriken time, por gjithcka e kam vënë në funksion të Partisë Demokratike dhe demokratëve të thjeshtë”.

Por edhe gjatë vazhdimit të fushatës nuk u mësua se cilat ishin këto përgjegjësi dhe gabime. Opozita pësoi një nga humbjet e saj më të thella, por për zotin Basha rezultati ishte ndikuar nga shitblerja e votës: “Maxhoranca e dalë nga këto zgjedhje është një maxhorancë fiktive sepse nuk reflekton vullnetin e qytetarëve, por reflekton shtrembërimin e këtij vullneti përmes shit-blerjes së votës që tashmë është provuar katërcipërisht si varrmihësja e demokracisë tonë të brishtë”

Krahasuar me zgjedhjet e vitit 2013, opozita ka humbur mbi 200 mijë vota. Megjithatë sipas zotit Basha, edhe demokratët nuk kishin dalë për të votuar në këmbim të parave: “Në Tiranë, vetëm për të mos dalë në votime, plani ka qenë 5 deri 15 familje opozitare për qendër votimi, pagesa 200 mijë lekë për familjar, jo për votues”.

Pas tre muajsh protesta opozita vendosi të hyjë në zgjedhje pas marrëveshjes së zotit Basha me kryeministrin Rama, një marrëveshje që sipas tij ishte bërë nën trysninë ndërkombëtare, por që nuk mund të përsëritet: “Marrëveshja e 18 majit na diktoi provën nën presionin ndërkombëtar, me Edi Rama Kryeministër, prova dështoi. Ajo që ne kishim thënë u provua, nuk ka zgjedhje me Edi Ramën kryeministër, është armik i zgjedhjeve të lira e të ndershme. Kur flas për përballje totale, për zgjedhje të lira e të ndershme, sigurisht që s’ka asnjë shans lloj bashkëpunimi politik apo koalicioni me Edi Ramën. I vetmi shans është përballja dhe fitorja përmes përballjes”.

Ndonëse rrallë, të paktën në atë pjesë të bërë publike të fushatës së tij, zoti Basha ka sulmuar dhe kundërshtarët e tij të shumtë në parti, figura që u lanë jashtë listës së kandidatëve. “Çelësi është shpirti i pastër i demokratit. i atij që nuk pyet se kur me vjen radha për t’u bërë deputet por vjen në betejë sa herë ka betejë për vlerat për të cilat kemi lindur dhe luftojmë”

Zoti Basha ka mbrojtur projektin e tij të Republikës së Re e cila sipas tij nënkupton që fuqia e vendimmarrjes t’i kalojë anëtarëve të partisë: “Republika e Re është një raport i ri midis shtetit dhe qytetarit, se që këtej e tutje jo thjesht rekomandimet, por përcaktimet e përfaqësuesve për deputetë, për bashki dhe për këshilltarë bashkiakë, dhe çdo zyrë të zgjedhur publike apo brenda Partisë Demokratike duhet të vijnë me një anëtar-një votë nga anëtarët e PD”

Rivali në garë Selami është shprehur për një garë me kushte të pabarabarta. Kundërshtarët e zotit Basha kanë ndërmarrë një tur në disa qytete ndërsa flasin për një garë farsë me një rezultat të paracaktuar. Vetë zoti Basha i ka mëshuar shpesh idesë së bashkimit, por në rast fitoreje, ai rrezikon të ketë frenat e një partie të përçarë si kurrë më parë.

“Era Basha” në Shkodër dhe “firmëtarët” në PD! – Nga Qamil Gjyrezi

Hyrje

 

Po i vjen fundi debatit për zgjedhjen e kryetarit në P.D. më 22 Korrik. Mbas disa vitesh në PD po zhvillohet një “debat real” mes kandidatëve për kryetarë partie me takime të hapura në disa qytete të Shqipërisë. Para disa ditësh u zhvillua në Shkodër debati mes kandidatëve Basha-Selami.

Në politikë këto janë etapa të caktuara, të cilat kanë të bëjnë me demokracinë e brëndshme, interesat e caktuara në një parti politike në opozitë për kandidatë të caktuar.

Opozita ka një rol shumë të rëndësishëm në demokraci dhe në momentin aktual duhet të luajë rolin e saj, sic shprehet Zv/sekretari i shtetit të Sh.B.A.-ve, Zoti Hoyt Brian Yee: “Pa një opozitë të fortë, pa konkurrencë, në shumë raste nuk ka nxitje të mjaftueshme për të gjetur përgjigjet më të mira të mundshme”. Pakënaqësitë e firmëtarëve në P.D., kanë të bëjnë me intersat e tyre personale dhe janë të lidhura vetëm me qëllimet e tyre, jo të gjithë demokratëve dhe shqiptarëve, që duhet të duan më shumë Shqipërinë se Partinë dhe interesat e individëve të caktuar.

 

1.Zgjedhjet e fundit 2017, Gurakuqi, Spahija dhe “Era Basha” në Shkodër.

 

Zgjedhjet e fundit për parlamentin shqiptarë 2017 i dhanë P.D.-së në Shkodër pesë deputetë, të cilët do ta përfaqësojnë opozitën në vitet e ardhshme në parlament. E titullova e nëntitullin e opinionit tim: “Gurakuqi, Spahija dhe “Era Basha” në PD-në e Shkodrës”, mbasi shpresoj se këto përfaqësuses të Shkodrës do të dinë të ndërtojnë një politikë të re për kryeqendrën e veriut.

Më vjen keq që nuk dhashë një mendim ose nuk shtrova një pyetje në debatin Basha-Selami në Shkodër, por mendoj se që në këtë pikë Gurakuqi, Spahija dhe të gjithë drejtuesit e P.D.-së në Shkodër duhet të ndërrojnë të “menduarit politik” në këtë formacion politik.

Debati Basha-Selami ishte shumë demokratik dhe me parametra “real politik”, por reagimet e sallës të bëjnë “pesimist” për zhvillimet në këtë formacion politik! Megjithse ka shpresë nëse punohet edhe në këtë drejtim.

Takimi duhej të drejtohej nga një moderator dhe në debatin nga salla duhet të “sundonte” kultura dhe jo antikultura, dialogu dhe jo debate dhe të pyeturit e kandidatëve me nivel shumë të ulët.

Në këtë takim duhet të ishin të pranishëm më shumë intelektual, profesor universiteti dhe përfaqësues të qytetit të Shkodrës.

Në 27 vite P.D. e Shkodrës ka pasur uljet dhe ngritjet e saj, mbështetjen e elektoratit të demokrat dhe të djathtë në Shkodër, që është keqpërdorur shpesh nga lidershipi dhe përfaqësuesit e saj lokal dhe në parlament, për realizimin e qëllimeve të tyre personale dhe familjare, duke bërë pak për qytetin, duke e prezantuar Shkodrën keq, duke ja ulur nivelin e përfaqësimit politik dhe intelektual, “mendjen politike” të Shkodrës.

Shkodra sot ka një zhvillim të caktuar ekonomik dhe kulturorë, falë burimeve njerëzore dhe natyrore dhe natyrisht zhvillimi filloi në vitin 2005, falë mbështetjes së qeverisë së atëhershme dhe vemendjes së komunitetit ndërkombëtarë, “Fondit Amerikan të Zhvillimit”. Nuk do ta lenin Shkodrën të pa “zhvilluar” perëndimorët dhe amerikanët, për “inatë” të personazheve që e kanë drejtuar dhe përfaqësuar Shkodrën në pushtetin lokal dhe në parlament deri në ato vite. Zhvillimi ekonomik dhe kulturorë është i lidhur edhe me situata të caktuara gjeo-politike dhe ka prioritete e tij.

Shkodra ka rëndësi të madhe edhe për rajonin e Ballkanit Jug-Perëndimorë. Shkodra është rruga për në Europë. Infrastruktura u zhvillua, tenderat u fituan dhe sëbashku me ta edhe paratë.

Me “korrupsion”, pa “korrupsion” Shkodra e mori një zhvillim të caktuar. Kryetarja aktuale e Bashkisë së Shkodrës pati deklaruar para një viti: “Në Bashkinë e Shkodrës ka korrupsion”! Por se kush e ka bërë dhe si e kanë bërë nuk e tha!? Sic duket ja mbyllën gojën! Janë organet kompetente që i japin përgjigje këtyre ceshtjeve, sistemi i drejtësisë në të ardhmen, Vetingu!

Por shtrohet pyetja se si do të jetë e ardhmja e Shkodrës?! A do të vendosi politika partiake apo nevojat e Shkodrës për zhvillim ekonomik?! A do të bashkëpunojë  Kryetarja e Bashkisë me Kryeministrin Rama, apo do të vazhdojnë me “lojra fjalësh” dhe deklaratash mediatike boshe, me të cilat është “ngopur publiku” i Shkodrës!? Prandaj e titullova opinion: “Gurakuqi, Spahija dhe “Era Basha” në P.D.-në e Shkodrës”, duke pasur besim se Profesor Romeo Gurakuqi dhe Doktor Bardh Spahija do të krijojnë një “klimë” tjetër politike në P.D.-në e qytetit, pa nënvleftësuar kontributin e drejtuesve të tjerë politik për zhvillimin ekonomik, si kryesues të listës së P.D.-së, pse jo edhe me bashkëpunim me Ditmir Bushatin, Senidën e të tjerë që janë në qeverisje të P.S.-së!

Shprehi besimin se Gurakuqi ka për detyrë ta “dijësojë” dhe Spahija do ta “shërojë” P.D.-në nga politika e vjetër 27 vjecare! Por duhet pak “guxim”, bashkëpunim me grupe të caktuara shoqërore dhe intelektuale brënda dhe jashtë partisë dhe një mentalitet tjetër opozitarë që do të ndikojë për Shkodrën e viteve të integrimit, 2020-2022!

 

2.Ngjarjet politike në P.D.-në e Shkodrës 1992-1996.

 

Në vitet 1992-1996 ishin fillimet e demokracisë dhe natyrisht mungesa e eksperiencës ishte e kuptueshme. Në këtë plan ish-përfaqësuesit e P.D.-së janë të “falur”, por sistematikisht ka patur debate në P.D. dhe shpesh debatet ka qenë në nivele “hipokrite” dhe shumë të ulta dhe me inate të pa justifikuara. Zënka dhe debate shpesh shterpë për qëllime personale, kulturore, klanore, inate dhe “sundim” dhe shumë pak ide dhe projekte për zhvillim. Privatizimet dhe gjoja “dekomunistizimi” krijuan klane dhe grupe interesi të cilat i kanë bërë shumë dëm Shkodrës duke promovuar një mentalitet gjoja “ish-komunist” me “kostum” të djathtë. Duhet vlerësuar kontributi i të ndjerëve Pjetër Arbnori dhe Ali Spahija, por edhe këto drejtues shpesh patën gabimet e tyre në drejtimin e qytetit. Në këtë periudhë mënyrën e qeverisurit e kontestuan shumë ish-pronarët dhe ish-të persekutuarit. Një përfaqësi e tyre dhe drejtuesit politik të P.D.-së, i shitën interesat e këtyre shtresave, gjithmonë me pretendimin se mos kthimi i pronës ish-pronarëve do të zhvillonte kapitalizmin, e që në realitet e shkatërroi tregun e lirë dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Sot asnjë investitor serioz i huaj nuk investon në Shqipëri, mbasi nuk është i sigurtë për pronën private. Edhe një përfaqësi e ish-të persekutuarve i shiti interesat e tyre, biles ish-të persekutuarit janë nxjerrë nga greva e urisë me dhunë policore në Shkodër në vitet 1994-1995, me “mbështetjen” e ish të përsekutuarve që patën një interes, një punë në qeveri dhe bashki.

Ish pushteti demokratik i kohës e mbajti “nën kontroll” Shkodrën duke privatizuar ish-Hotel “Rozafën”, nga një pjesë e vogël e ish-të persekutuarve dhe “sunduar” dhe mbajtur nën kontroll pjesën tjetër, që ngelën me “gisht në gojë”.

Në vitin 1996 humbet në Shkodër kandidati për  Kryetarë Bashkie i P.D.-së Artur Luka dhe fiton e “Djathta e bashkuar”, që në realitet kishte të drejtë nga keqeverisja lokale 1992-96 për disa shtresa që i përmenda më lart dhe qytetarët. Humbja e Lukës u shfrytëzua shkëlqyer nga individë dhe grupe në Shkodër, që janë mësuar në vite me këtë mënyrë të sjelluri dhe menduari politik dhe një arësye tjetër ishte “largimi” i Pjetër Arbnorit nga drejtimi politik P.D.-së, që nuk ishte i pëlqyer nga drejtuesit e lartë të P.D.-së dhe natyrisht u shfrytëzua më vonë nga klani i Jozefina Topallit për të “sunduar” Shkodrën në të ardhmen mbas vitit 1998 “shkallë-shkallë”, por që ja arritën qëllimit të tyre në vitet 2005-2013.

Në vitet 1997-2001. Në vitin 1998 kemi debatin Berisha-Pollo në Shkodër, që do të shkruaj pak më poshtë. Në këto vite P.D. ishte në opozitë dhe Shqipërinë e qeveriste Fatos Nano, që në fillim e pati të vështirë të qeverisurit mbas viteve të “mbrapashta” 1997 shteti nuk ekzistonte. Më vonë Nano e ktheu Shqipërinë në vendin më të korruptuar në Ballkan dhe ekonomia pësoi rënie të madhe.

Në politikë ndodhin gjëra të cuditshme. Gjatë qeverisjes së tij, P.D. e bëri Nanon “kriminel”, të “poshtër” dhe “hajdut” dhe më vonë Berisha bashkëpunoi me Nanon për qëllimet e tija politike. Në këtë periudhë Shkodra u përdor shkëlqyer duke krijuar imazhin e “Nanos së poshtër” dhe të “korruptuar” dhe “antikomunizmit fallco”, duke shfrytëzuar gjendjen e rënduar ekonomike dhe ndenjat e vërteta antikomuniste të Shkodranëve.

Në periudhën Nano në vitin Shkurt 1998, u largua me forcë për interesa klanore, ish-prefekti Gëzim Podgorica dhe P.D. e Shkodrës mbështeti. Ndërkombëtarët në Shkodër në atë periudhë sinqerisht shprehnin habinë se si mund të mbështeteshin “lëvizje të tilla”, të cilat nuk kishin të bënin me demokracinë dhe shtetin ligjor.

Në vitet 2001-2005 përsëri u luajt shumë bukur me imazhin “Nano kriminel”, ku Shkodra luajti një rol të rëndësishëm për largimin e Nanos në vitin 2005. Ishte momenti kur SH.B.A ja besuan pushtetin, qeverinë Berishës.

2005-2009-2013. Në këto vite në Shkodër, pati zhvillime interesante. Në realitet pati një progres në planin politik, gjeopolitik ekonomik dhe zhvillues, por koalicioni me L.S.I.-në 2009 e dëmtoi imazhin e P.D.-së, pasojat e të cilit ndihen edhe sot. Duhen vite për të krijuar një stabilitet në politikën shqiptare si rezultat i këtyre “lojrave” politike pa asnjë argument, që në një artikull tjetër i kam quajtur “patologji politike”, e që ndikojnë shumë keq tek elektorati dhe zhvillimi.

Në 2005 u krijua Kopi, që në fakt pati një ndikim pozitiv për kohën, por sot janë pikërisht përfaqësuesit e ish-Kopit që e kontestojnë P.D.-në.

Se nga i gjetën disa personazhe pa asnjë “thelb demokratik”, këtë e dinë drejuesit e lartë të P.D.-së.

Mbas fitores në vitin 2015 P.D. mbylli zyrat dhe deputetët mbyllën celularët dhe larguan shumë individë me kontribute në P.D. në vitet e vështira 1997-2005. Nejse kjo është pjesë e historisë. Në vitet 2005-2013 luajti një rol shumë negativ në Shkodër Jozefina Topalli, që e shfrytëzoi këtë periudhë për qëllimet e saja dhe bënte sikur cdo gjë “po e bënte Jozefina”, gjoja për Shkodrën. Një rol negativ ka luajtur edhe ish-kryetari i P.D.-së Bushati me paaftësinë e tij totale dhe bashkëpunimin me “Klanin e Topallit”!

Në vitet 2013-2017, mbas dorëheqjes së Berishës P.D., shitjes së Shkodrës së majtës në vitin 2013 nga një “grupim” në P.D.-në e Shkodrës i drejtuar nga Jozefina Topalli për inate personale, P.D. në Shkodër u organizua nga kryetari aktual Ramzi Cobaj dhe fitoi Bashkinë e Shkodrës në vitin 2015 dhe së fundi 5 deputetë demokrat në parlamentin e vitit 2017. Një rol të rëndësishëm luajtën votuesit shkodranë demokrat, të djathtë dhe liberal dhe të rinjë e P.D.-së, të cilët duhet të kenë një vend krejt tjetër në P.D.-në e Shkodrës, duke marë pjesë në të gjithë aksionin politik në qytet dhe rritur nivelin e tyre politik dhe intelektual dhe strukturat e partisë.

 

3.Një këshillë për Firmëtarët e P.D.-së!

 

Debati politik i muajit të fundit në P.D, më kujton debatin dhe konkurrencën ndërmjet Sali Berishës dhe Genc Pollos në vitin 1998. Kanë kaluar vite dhe sinqerisht pak me vonesë fillova ta kuptoj se si funksionojë fenomenet politike. Në P.D.-në e Shkodrës konkurruan Astrit Bushati me Nesti Kirin. Unë isha kryetari i komisionit të votimit. Votimi u zhvillua në një klimë shumë të “ashpër” politike mes palëve, ose krijohej imazhi se po bëjmë debat të “ashpër”.

Në fillim ishim shumë të sinqertë me politikën! Si përfundim fitoi Astrit Bushati me 26 vota, i cili e drejtoi P.D.-në e Shkodrës për disa vite dhe ishte deputet në parlament për 8 vjet.

Votimet për kryeatrin e P.D.-së shkuan mirë, kurse për këshillin drejtues nga papërgjegjshmëria dhe paaftësia e drejtuesve të kohës në P.D., i manipuluan në selinë e PD-së  individë të cilët i kanë bërë gjithmonë dëm këtij formacioni politik. Mua dhanë një vërejtje dhe Berisha pak muaj më vonë i bëri bashkë Astrit Bushatin me Nestin Kirin, për të bashkuar klanet politike në partinë lokale.

Kështu funksionon politika. Paradoksale është se një ndër mbështetësit e Pollos në atë periudhë 1998, Nard Noka sot është në parlament sëbashku me Pollon. Kurse unë dhe shumë të tjerë vazhdojmë punët tona në specialitetet tona. Duke pasur një eksperiencë të madhe në politikë, po e ndjeki debatin aktual në P.D. me vëmendje të madhe, mbasi për mua opozita është shumë e rëndësishme dhe pastrimi i saj nga individë që nuk kanë pasur të bëjnë me P.D.-në asgjë të përbashkët është i domosdosëm.

Sejcili në demokraci ka të drejtë të kontestojë proceset politike brënda dhe jashtë partisë, por firmëtarët e P.D.-së për mendimin tim, ashtu sic erdhën në P.D., duhet të largohen nga ky formacion që ju dha shumë dhe i dhanë shumë pak ide dhe zhvillim. Sot lideri dhe drejtuesi me një profil të vërtetë perëndimorë është Lul Basha. Basha në debatin në Shkodër ju ofroi bashkëpunimin “firmëtarëve”, pra të vinë dhe të kontribojnë për opozitën, si gjithë anëtarët e tjerë në P.D., nëse janë demokratë dhe idealist.

Sinqerisht nuk kam lidhje personale me Bashën, por vlerësoj imazhin dhe profilin e tij politik perëndimorë. Biles jam optimist se të njëjtin vlerësim kishte edhe një prej opinionistëve më të shquar në Shqipëri, Pirro Prifti.

 

  1. “Firmëtarë” të përjetshëm në parlament!

 

Nuk jam i sigurtë kush e gjeti apo shpiki këtë epitet firmëtarët, për disa personazhe të politikës në P.D., njerëz normal, që sikur të mos ishin përfaqësues të P.D.-së, do të ishin të pa njohur nga publiku, mbasi përfaqësojnë pak në planin intelektual, politik dhe njerëzorë. Duke shfytëzuar me të gjitha mjetet përfitimet që të jep politika dhe media, këto personazhe janë egërsuar këto ditë të nxehta, sepse P.D. nuk ju dha të drejtën të përfaqësojnë P.D.-në në parlament në të ardhmen.

Arben Imami, Ilir Rusmajli, Astrit Patozi, Jozefina Topalli, Ridvan Bode, Genc Rruli, dhe disa personazhe me profil shumë të ulët në P.D, si Endira Bushati ish-sekretarja e Ilir Rusmajlit, Edvin Kulluri, Arben Skënderi dhe disa emra të tjerë që nuk po më kujtohen, etj. etj.

E shkruaj që në fillim i gjithë preukopimi i tyre ka qenë dhe është marrja e P.D.-së dhe kryetari i saj aktual Basha. I vetmi qëllim i tyre ka qenë 22 Korriku, zgjedhjet në P.D. pë kryetar dhe jo fushata elektorale 2015-2017.

Në këtë plan jam dakord me deklaratën e saktë të Bashës në Shkodër. Këtë ide e kam kuptuar personalisht që para vitit 2013. Të gjithë këto personazhe nuk kanë profilin dhe imazhin e domosdoshëm për të drejtuar P.D.-në. Mendojnë se është e lehtë të jesh lider dhe harrojnë se duhet të plotësohen disa “kushte specifike” të cilat asnjëri nga këto zotërinj dhe zonja nuk i ka. Të gjithë i janë “vërsulur” Lul Bashës i cili ka përgjegjësitë e vehta, të cilat i mori përsipër për situatën në P.D.

Më duket se këto zotërinj, zonja dhe zonjusha nuk arrijë të kuptojnë vehten dhe profilin e tyre! Deklaratat e tyre janë të cuditshme!?  Ja si shprehet ish-nënkryetari i Partisë Demokratike, Astrit Patozi në një artikull: “Asgjë nuk do të jetë si më parë Lulzim”! Se cfarë do të bëjë Patozi, këtë e di vetëm ai!? Por punën më të mirë do ta bënte të bashkëpunonte me P.D.-në, për demokratizimin e saj politik, mbasi i ka borxhe të mëdha.

Kurse Jozefina pretendon se do të ngrejë në këmbë 250.000 demokratë! Jozefinën nuk e ka votuar lagja vet që në vitin 2009-2013.

Ja se cfarë i shkruan Rroku1 nga Shkodra Jozefinës, që don me ngritë 250.000 demokratë në një koment në internet:

Rroku Shkodër14/07/2017 16:30

  1. Topalli ishe krenaria jonë. Na zhgënjeve. Pse? Pushtet..Kalorëse gjithmonë? Me tradhëti e more flamurin e Shkodrës. Se mban mend?! Një pedagoge e thjeshtë ishe kur i cove “Cakejt” e Malësis së Madhe (Sterkaj, Popaj, Spathari, Bajraktari etj.) ti punonin kundra Pjeter Arbnorit apo ke harruar. Sta fal Shkodra jo! Faleminderit për fondet por Lorenc Lukën e zgjodhe që fondet tuaja ti administronte. Afër boll të ndejti 10 vite: 2 vite Kryetar Qarku, 8 vite Kryetar Bashkie. Punoi për Shkodrën, për vete e për ty. Mos nxjerr vrer prej gojet, se ske vetëm ti vrer në goj, por sjena të tan aq të paepur e faqezi sa ti për të fol. Nuk din vetëm ti por edhe te tjerët. Mbylle gojën sa sjan hap “arkivat” për ty, se sje aq idealiste e hyjnore sa dukesh. Verë të mbarë nëpër pronat tuaja në dete, mal e liqen. ngado ku i ke!

Post-Scriptum!

5.Politika me “zemër dhe mendje”, neo-patriotizmi dhe Shqipëria.

Vendimet politike kërkojnë edhe bashkimin e zemrës me mendjen. Nëse politikën e merr me zemër shpesh je i humbur, por ka fituar Shqipëria. Por kur lideri bën bashkë zemrën dhe mendjen, fiton së pari Shqipëria, jo partia. Në debatin e Shkodrës, Basha përmendi vendimarrjet politike me “mendje dhe zemër”. Sinqerisht më bëri përshtypje deklarata e tij. Sejcili lider aktual në Shqipëri duhet të mendoj nganjëherë me zemër për të ardhmen e Shqipërisë. Natyrisht ka vend për një politikë për Shqipërinë dhe jo vetëm për partinë. Mendoj se neo-patriotizmi, dashuria për vendin duhet të sundojë tek sejcili politikan dhe militant. Personalisht kam mbështetur reformat, Vetingun dhe politikën perëndimore në partitë shqiptare, kryesisht në opozitë. Deklaratat e fundit të politikanëve amerikanë dhe europianë japin mesazhe të forta për të gjithë. Kjo duhet të jetë e qartë për të gjithë drejtuesit e politikës në Shqipëri, për pozitën dhe opozitën. Kjo duhet të jetë e qartë edhe për militantët në Shkodër, që kanë një rol të rëndësishëm, por drejtimin e bëjnë elitat politike edhe për Gurakuqin, Spahinë dhe të gjithë drejtuesit lokal politik dhe të gjithë ato që duan të marrin pjesë dhe konkurrojnë në politikë, me kontribut dhe meritokraci. Unë e titullova artikullin me emrat e përfaqësuesve të P.D.-së në Shkodër, mbasi jetoj në Shkodër! Por ky titull është mesazh për të gjithë ato që duan zhvillimin dhe integrimin e Shqipërisë, pozitën dhe opozitën.

Referenca

1.Komente nga F.B. në Internet.https://www.facebook.com

Orët e fundit të grupimit anti-Basha ose tartufëve të PD-së – Nga Azgan Haklaj

Referendumi blu me 22 Korrik dhe fitorja plebishitare e Bashës do të shpartallojë Kasandrën e narcistëve

 

Kur e pyetën Gëten se cila është vepra letrare më e shquar artistike ai u pergjig, pa mëdyshje e me pak fjalë, me një stil që e kanë vetëm gjenitë: “Tartufi tha, sepse nga ekspozimi dhe përmbajtja nuk ka vepër si ajo në botë”.  E zgjodha jo rastësisht titullin e këtij shkrimi, sepse komediani gjenial Molieri e ka shkruar këtë vepër për të gjitha kohërat, për të gjithë popujt. Ai na paralajmëron se çfarë janë në gjendje të bëjnë ata të cilët janë tē zvetënuar nga ndergjegja e karakteri, të zhveshur nga morali, mirënjohja dhe drejtësia, e në emër të ambicieve dhe etjes për tu ngjitur në majat e pushtetit e pēr ta mbajtur atë, gjithmonë në kurriz të të tjerëve. Ata janë gati të bajnë rolin e Kasandrës, Makiavelit, tē veshin mantelin e profetëve për ti treguar botës se vetëm ata dhe askush tjetër duhet të jenë lidër, prijës, pushtetarë, shtetarë, zotërinjtë e plotëfuqishëm të fatit dhe të ardhmes tonë të përbashkët. Emrat e bimbashëve, sanxhakbejëve, spahinjëve, kadive të mbetur jo vetëm pa mandate, grada e ofiqe por së fundmi dhe pa pikën e nderit dhe dinjitetit politik, moral dhe njerëzor, janë emra tē njohur jo vetēm për demokratët e PD-në e cila i pranoi në shtëpinë e vet tē lirisë, por edhe për opinionin publik. Keta narcistë kanē perqafuar dhe mbrojnë fort bestytninē se ashtu siç ndodhet toka mbi veshin e kaut te zi edhe Pd-ja mbahet në shtyllen kurrizore të tyre. Ashtu siç mund të shkaktojë termet kau i zi me levizjen e veshit, këta zotërinjë mendojnē se mund ta fshijnë PD-në me një të rënë të lapsit.

Kori i tartufëve e i kasandrave hyri dekada mē parë në PD ,sepse ajo ishte tempulli i lirisë, një kult i shenjtë e me dyer të hapura, siç janë sinagogat, kishat, xhamitë, teqetë, të cilat kanë gjithmonë dyert e hapura për të mirin dhe të keqin, bamirësin e bakeqin,të devotshmin e bukëshkalin, për tu lutur e penduar natyrisht.

Tani pas kaq vitesh, tartufët e kasandrat e PD-së që kanë thithur palcën e saj si ushunjëza, janë urdhëruar nga padrinot e tyre ,në hipotekat e të cilëve janë vendosur prej kohësh, të sulmojnë shtepinë e perbashkët tē demokratēve me artileri të randë ,të hapin disa fronte sulmi, në fakt në akord të plotë, në unison për të realizuar skenarin e ustallarëve te tyre. Tani pasi janë vetëdemaskuar shtrohet një pyetje që është me shumë rendësi jetike jo vetëm për demokracinë, menyrën e qeverisjes dhe tē bërit opozitë, per dhe për vetë historinë e Pd-së dhe të pluralizmit shqiptarë: Cili ishte misioni i tyre kur u bashkuan me Pd-në, dhe në vazhdim çfarë i bashkon në betejën e deshpëruar kundër Bashës, kundër platëformës se tij, modelit politik, projektit ekonomik, vazhdimit të kauzës për Republikën e Re, për një opozitië me transfuzion , me energji e vizione te reja, per platformën e kompromisit politik kur kerkon Atdheu e interesat kombtare, per një Shqipëri Evropiane e të integruar me shpejtësi e plotësisht në strukturat Euro-Atlantike. Shqipëria vendi qe vuajti për 45 vjet, diktaturën më të egër të botës, në modelin e stalinizmit, nuk e pati as fatin, as mundësinë te krijonte një elitë disidente si vendet e tjera të lindjes komuniste, si Polonia,Hungaria, apo Çekosllavakia. Lëvizja e dhjetorit 90-të dhe lindja e PD-ke, si parti antikomuniste e propërendimore u dha mundësi qindra e mijra njerëzve, besnikë fanatikë të regjimit të vjetër të ndërronin këmishën e kuqe me atë blu dhe pa u varrosur akoma kufoma e diktaturës të vetëshpallen demokratë. Më të suksesshmit u treguan pikërisht ata qē ngjitën shkallet e karrierës në Pd dhe nē qeveritë e djathta dhe sot në kohën e reformimit të thellë të Pd-së dhe konsolidimit të saj për të ndalur revanshin e rilindjes janë angazhuar në njē betejë të ethshme dhe deshpëruese kundēr Lulzim Bashës. Kjo simfoni uluritëse e tyre të kujton Kasandrën e Trojës 2700 vjet më parë se po nuk u debua Paridi nga keshtjella Troja do të digjet. Basha sipas tyre është rrembyesi, uzurpatori i Pd-së, simboli i humbjes, sjellësi i katastrofës dhe me tej akoma tradhtari se nuk i pyeti këta engjuj ,keta meleqë, senatorēt e përjetshëm ,orakujt blu kur Basha bëri marrëveshjen me kryeministrin Rama. Anatemimi i kësej marrveshje historike Basha -Rama të cilën për nga rëndesia për të sotmen e të nesermen panshqiptare nga interesi i publikut dhe monutorimi ndërkombtarë do ta quaja njē “Rambuje” shqiptare ,është çelsi që na ndihmon për të zbuluar kodin etik-moral dhe politik të grupimit antiBasha. Paradoksi i madh qëndron në faktin se grupimi anti Bashë që tani janë rreshtuar në krahë tē dyshes Rama-Meta ,në dhjetorin historik të 90-ës, evenimenti më i madh kombtarë pas shpalljes së pavarësisë ,ose ishin askushi, ose burokratë mediokër,të bindur të sistemit ,e nuk patën kurajo të bëheshin pjesë e kësaj lëvizje ,si Meta atë kohë student ,e Rama petagog. E kunderta ndodhi. Disa prej tyre, që sot duan ta shpëtojnë Pd-në ,formuan shoqatën e vullnetarëve të Enver Hoxhës, me bustin e tij në shpinë vershuan në sheshet e Shqiperisë për te mbrojtur regjimin e vjetër. Marrëveshja Basha-Rama e imponuar nga lideri i opozitës, me mbështetjen e përendimit,kryesisht të Amerikës ,i la me gisht në gojë regjizorët e Kremlinit, Basha ua la dopio gjashtën në dorë presidentit, Ilir Meta, kryeministrit Edi Rama,të gjithë atyre që projektuan asgjesimin e opozitës dhe përgjakjen e demokracisë shqiptare. Basha i bëri një sherbim të vyer e historik Atdheut, Kombit ,Shqiptarë, politikës, duke shkundur e rrezuar nga trupi i parlamentit, qeverisë, partive kryesore politike, banditët politikë, dallkaukë e karrieristë të cilët prej gati 3 dekadash kanë livadhisur si dikur emisarët otomanë në kazatë, vilajetet ,e pashalleqet shqiptare. Për këtë Basha ka meritë historike. Dritëshkurtrit që sot sulmojnë Bashën për tradhëti ndaj demokratëve, janë nxënës mediokër të historisë ,të cilëve u kanë mbetur vetëm dy armë të ndryshkura në fushëbetejë: Mashtriimi dhe shpifja. Historia e njerzimit dhe e kombeve na tregon se përballë rreziqeve të mëdha burrat e shtetit kanë ditur të bajnë marrëveshje e pakte historike me kundershtarët e tyre. E tillë ka qenë Aleanca Ballkanike në betejën e Fushëkosovës në vitin 1389, Lidhja e Shenjtë kundër Napoleonit në shekullin e 18-të, apo e Çurçillit-Ruzveltit me Stalinin kundër Hitlerit.

Në Italinë e pasluftës Dytë Botërore ishte aleanca e Demokristianëve te Aldo Mores me PK-te që e shpëtoi Atdheun e Dantes e Davinçit nga ekspansioni komunist rus dhe terrori i brigadave të kuqe. Aldo More për interesat e atdheut tē tij sakrifikoj gjithçka, edhe më të shtrenjtën, jetën…Ish ministrat, ish deputetët, diplomatët e dështuar që sabotuan edhe çështjen kombtare, drejtues medias, zhurnalistë politikë, tē promovuar e të mbajtur gjallë me dhjamin e PD-së, kujtojnë me deshpërim kohën kur ladronin e kalaronin në livadhin blu si iu donte qefi. Ata tani po kujtojnë me nostalgji, dhimbje e deshpërim kohën kur hartonin lista deputetësh, shisnin mandate në tregun e zi të politikës në këmbim te lumenjëve të parave, trojeve në bregdet, lejeve të ndërtimit, apo privatizimit për 5 astra të ndërtesave dhe pronës publike. Këta tartufë modernë kanë veshur lekurën e qengjit, marrin pa të keq poza tē persekutuarish e na hiqen si te tradhtuar nga Basha e kërkojnë mbështetjen e demokratëve!… A nuk kemi tē drejtë ti pyesim këta mercenarë,këta bashibuzukë: Çfarë përfaqësojmë ne të tjerët, studentët e dhjetorit 90-të, qindra-mijra të persekutuarit politikë, intelektualët, rinia, qëndrestarët e vërtetë të 97-s në të katër anët e Shqipërisë, që janë shpirti, qëndresa dhe kolona vertebrale e Partisë Demokratike!?

Referendumi blu i 22 korrikut do ti japë një mbështetje plebishitare Lulzim Bashës dhe do të shpartallojë endrrat e narcistëvë qe bëjnë Kasandrën. Koha e tartufëve ka mbaruar.

Shqiptarët në Facebook zonjës Topalli: Xhozefin kush fitoi me shume ju nga PD apo PD ?!

Po sjellim nga rrjeti social nga profili i zonjës Topalli  disa nga reagimet e rrjetit që kanë kritikuar statusin e saj.

Giovana Lisi Aman kush ti ben keto shkrime,jo per gje,po do te thuash dicke dhe nuk e artikulon si duhet.Nejse ,puna jote kjo,por aq na ke mashtruar ti,Bode,Ruli,Bregu saqe na ishte krijuar ideja se ne e kemi te detyruar te mashtrohemi.A te ka ngele ndonje shoqe qe nga klasa e pare e deri ne te larten pa e bere drejtoreshe?Ne ke zot mos na dil me te na flasesh per PD,se ate e kemi mbajtur ne idealistet deri ne momentin kur hipet dhe ju siper ,e keshtu na u be barra e rende dhe jemi te detyruar tju zbresim,madje e mira do ishte tju hidhnim…

Xhabir Zejnuni Zonja Jozefina Coba Topalli.
Duam apo nuk duam, Lulzim Basha do fitoje perseri te shtunen.
Zgjedhja e 22 korrikut eshte farsa e radhes dhe jo e fundit.
Keto qe shkruani sot Ju, duhej t’i kishit shkruar shume kohe me pare.

Mustaf Demushi Te gjithe e fundiste PD duke ma cdo dite nga nji “””””””t ne te!Rrnofte populli i thjeshte demokrat.Ju e ropet,edhe nuk po ndaloni.Njerezit jane lodhe me ju,prandaj nuk dalin te votojne.Kjo nuk don shume mend me e kuptue.

Vilson Tafa Jozefin unë jam demokrat që punoj pa interes për PD. Ndërsa ju soji juaj si patozi imami etj.nk meritojnë as respektin më minimal tonin.8vjet ishte pd në pushtet as që eu kthyet njeher nga në demokratët e thjeshtë që punojnë për PD jo për kryetarin apo deputetët por se e duan pd.ku ishit ju zonjë kemi katër vjet në opozitë nk ju kam dëgjuar në shesh nk ju kam par ne çadër jo e jo . vetëm se ju nk ishit pjesë e listës dolët kundra nesh po në që në tetë vjet në pushtet ju as që e kthyet kokën tek ne demokratët e përhershëm.dhe tani na bëni sikur na e doni shumë pd dhe në demokratët.jo zonjë partia nk është e juaja është e jona e të gjithë demokratëve që punuan për PD pavarësisht rezervat dhe pakënaqësitë që mund të kishim.prandaj unë them që koha e interescinjeve në pd duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë.boll me se ju dhe njerzit si ju po e shkatërrojnë pd

Liljana Zoto Sali Xhozefin kush fitoi me shume ju nga PD apo PD nga ju? Per sqarim ne 2013 ju e late PD e cuat ne humbje dhe megjthate PD nuk ja u hoqi kariget Po tani cfare kerkoni prap karige JO ME

Fari Xhediku Me falni, po qe te gjithe po i beni nje ndere te madh Rames, bravo te gjthve. Mjeshtra per tu ndere dhe jo per tu bashkuar. Sherbim me te madh nuk do ti bente askush “Sulltanit”

Miter Kolbucaj Zonja Topalli ti ja ke pa Hajrien P D dhe kur Luli te perzuni tani ke fillue tellallin Kjo do te thote se ti ke punuar vetem per iteresat tua prandaje largoju dhe shko tel Topi dhe ba sehir

 

Më 25 qershor 2017, shqiptarët refuzuan Lulzim Bashën – Nga Jozefina Topalli

“Mund t’i genjesh te gjithe per pak kohe ose disa gjithe kohes, por nuk mund t’i mashtrosh te gjithe pergjithmone” o Lulzim.

Hipokritin, njeriu i thjeshte e njeh menjehere. Ai ka nje maske mbi shpirt. Ne kete rast pasqyrat jane te nevojshme vetem per te verifikuar nese maska qendron ende ne rregull permbi fytyre.

Me 25 qershor 2017, shqiptaret refuzuan Lulzim Bashen si hipokrit, dhe listen e tij si liste e shitur dhe aspak perfaqesuese.
Ne fakt ato e trajtuan Lulzimin bashke me Republiken e tij te re, me indinjaten dhe percmimin qe meriton cdo akt tradhetie.
Po te beheshin sot zgjedhjet politike, Lulzimi dhe lista klienteliste Basha nuk do te merrte më as gjysmen e votave te 25 qershorit.
Por kur njeriu buzeqesh, dhe kur gjerat kane marre drejtimin e keq, do te thote se ai ka menduar tashme dhe kujt t’ia hedhin fajin, por kjo eshte gjeja me pak e rendesishme.
Nga 25 qershori dhe sot, ky “çuni i mire” i Rames, pasi shpalli dhe vetengrirjen ne teatrin e vet te ngritur ne ere, i braktisur , vazhdoi lojen me maska ne sallat bosh, pa
kundershtare ,pa media, pa rregulla, pa analize, pa liste votuesish.

Po te cohej nga varri Enver Hoxha, nuk do mund ta zhbente kaq shpejt dhe brutalisht, forcen politike qe hodhi ne ere sistemin qe diktatori mizor ngriti per gjysem shekulli.
Ne lojen e harreses dhe kujteses, ne farsen qe atij i pelqen ta quaj gare, mund te degjosh fjalite me te pakuptimta, premtimet me qesharake, qe vazhdojne te jene krejt te rreme si ato te cadres se tradhetuar.

Lulzimin nuk e mbron me askush.
Te gjithe e kane hedhur.
Shqiptaret ishin te paret.
Ne fushaten e para 25 qershorit, ato e lane me sheshe bosh; Demokratet ne farsen per karrigen e kryetarit, e lane me salla bosh.
Te gjithe e percmojne ne teatrin e tij, ku duke u perpelitur, perpiqet te vesh hijet me trupa te bukur.
Lulzimi dhe e verteta nuk bien dakort. Kete, une e kam kuptuar shume heret, prandaj kam perseritur se me Lulzim Bashen kam diferenca shume te medha.
Qe e vogel me kane mesuar se nuk duhej t’i besoja dy kategori njerezish: Atyre qe nuk kane personalitet dhe atyre qe kane me shume se nje.
Te cosh drejt asgjesimit forcen politike qe drejton; t’a mbash me farse, genjeshtra dhe dhune perseri karrigen e kryetarit; te asgjesosh cdo forum te saj; te vendosesh unin per cdo gje; te spastrosh grupin parlamentar qe me perpjekje titanike ka bere luften kunder krimit dhe droges, dhe t’i zevendesosh (me pak perjashtime) me njerez qe nuk i lidh asgje as me politiken as me PD, dhe te thuash se kemi fituar moralisht, kete mund t’a bej vetem nje i paafte per t’u turperuar, si Lulzim Basha.
Ketu partia jo vetem ka pushuar se funksionuari si demokratike, por eshte shkretuar vlerash.

Te gjithe e dijne se nga 12 vite qe je kthyer ne Shqiperi ti ke 11 vite ne maje te pushtetit.
Asnje dite nuk bere opozite te vertete.
Askush nuk ka mbajt aq shume e aq gjate karrige pa u trazu e pa kokeçarje per interesin publik si ti.
Ti kerkon vetem karrige. Gratis biles. Je i vetmi politikan qe kerkon te
mbaje peng karrigen e kryetarit …edhe mbi rrenojat e PD.
Aty ku nuk ka turp, mungon virtyti dhe nderi;
prandaj demokratet te kane bojkotuar edhe ne fushate , edhe ne farsen e pas 25 qershorit, dhe do te bojkotojne dhe me 22.
Demokratet e dijne se te falesh te keqen, do te te thote ta shumefishosh ate dhe prandaj te refuzojne sot o Lulzim.

Te rinjte te kane braktisur dhe te nenqeshin, kur ti i flet per parate e droges dhe ben marreveshje te fshehte me Ramen ; kur ti i zotoheshe se nuk ka zgjedhje te lira me Ramen kryeminister dhe pastaj hyn ne qeverine e tij ku vazhdon edhe sot.

Te persekutuarit te shohin me cudi kur i thua se populli te kerkoi te hiqje komunistet dhe bllokmenet nga PD, duke me nenkuptuar mua.

Njerezit e medias te shohin me habi, kur brenda 5 minutash i thua qe kete se thashe une, por e tha Edi Rama.

Intelektualet jane zhgenjyer, kur shohin se asnje i ngjashem nuk eshte ne listen tende.

Grate te percmojne si anadollak, kur shohin se ti me parë paguan gjoben se sa vendos gra ne lista deputetesh.

Studentet lexojne libra, por nuk gjejne asnje kryetar partie, ne asnje vend demokratik, qe pasi humb nga hera e fundit edhe 35% te votave te partise, te qendrojë me zor, dhune e farse, ne krye te saj.

Genjeshtra dhe mashtrimi kane nje date skadence, dhe ne fund cdo gje zbulohet.

Rapsodi 107-vjeçar në spital, kërkohet t’i dhurohet gjak

Rapsodi ynë i vetëm, 107 vjeçari legjendar Gjok Nonaj, po lufton betejën e tij të fundit me bajlozin e zi, prej 5 ditësh në një spital privat në në Tiranë. Muzikologu Vaso Tole bën thirrje për ndihmë.

“Kemi detyrim të mbeshtesim atë dhe familjen në këto ditë me gjithçka mundemi, moralisht e sidomos financiarisht, por sot Gjoka shekullor ka nevojë për dhurues vullnetarë gjaku. Kush ka mundësi, për çfarë do lloj ndihme, të kontaktojë me nipin e Tij Gjovalinin. Cel: 0666161479”, shkruan Tole. Ndërkaq, të pyetur nga “GSH” familjarët thonë se mund të dhurohet gjak nga çdo grup gjaku.

Gjok Nonaj është lahutari më i vjetër i gjallë, 107 vjeç. Ai ka marrë pjesë në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës ndër vite. Ka qenë vetëm 10 vjeç kur mësoi lahutën dhe është shprehur se “kurrë nuk do ndahet prej saj”. Lahutari i moçëm Gjok Nonaj e ka përcjellë këtë traditë edhe tek e mbesa Lumturije Nonaj, e cila është lahutarja e vetme femër në Shqipëri, por edhe te nipërit e tij Gjovalin dhe Gjet Nonaj. Dalja e tij në “qytetin e festivaleve” u konsiderua një surprizë e rrallë për publikun, studiuesit dhe dashamirësit e folklorit.

Gjok Nonaj është banor i Komunës së Shëngjinit, por prejardhja e hershme e familjes së tij është nga fshatrat e Malësisë së Madhe, që mendohet se është vend i origjinës dhe interpretimit të këngëve mitologjike të Eposit të Kreshnikëve.  Interpretimi i tij i fundit në Festivalin e Gjirokastrës nga goja dhe gishtat të këtij të moshuar të vargjeve mitologjike të eposit të lashtë shqiptar, erdhi si një dëshmi e gjallë e transmetimit gojë më gojë dhe përcjelljes nga një brez te tjetri të këtij eposi të lashtë.

Kryetari i KQZ: 70 numëruesit u nxitën të vjedhin votat

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur të kallëzojë penalisht 70 anëtarë dhe numërues të parë të grupeve të numërimit në Tiranë dhe Berat për manipulim të zgjedhjeve të 25 qershorit.

Sipas KQZ, numëruesit kanë konsumuar elemente të veprës penale të falsifikimit të materialit zgjedhor dhe rezultatit të zgjedhjeve, pavarësisht se votat në fjalë nuk ndryshuan mandate në tabelën përfundimtare.

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri, fajësoi partitë politike si përgjegjëse për nxitjen e numëruesve për tjetërsimin e votave.

“Këta nuk do të ishin në një pozitë të tillë, nëse nuk do të inkurajoheshin nga subjektet zgjedhore. Kjo është një bindje e imja, por i ngelet Prokurorisë për të vlerësuar. Numëruesit dhe komisionerët duhet të kuptojnë më në fund se vjen një moment që do të përballesh vetë personalisht me ligjin, edhe pse intimidohesh dhe tërhiqesh nga të tjerë faktorë”, deklaroi Zguri.

Kallëzimin penal për 70 numëruesit KQZ e bëri pasi shqyrtoi dy ankimimet e paraqitura nga partitë politike, PDIU dhe PS, të cilat kundërshtuan rezultatin në disa zona zgjedhore në qarkun e Tiranës, duke kërkuar rinumërimin e rivlerësimin e votave me pretendimin se numri i votave reale nuk përputhej me rezultatin e hartuar nga Grupet e Numërimit në tabelat e qendrave të votimit.

Nënkryetari i KQZ, Denar Biba, theksoi se duhet të merret Prokuroria me çështjen e numëruesve dhe kërkoi që në zgjedhjet e ardhshme ky fenomen të shkojë drejt zhdukjes. “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bën shumë mirë që e ndërmerr këtë hap. Shpresojmë që në zgjedhjet e ardhshme fenomeni të jetë sa më minimal dhe ndoshta të shkohet drejt zhdukjes”, deklaroi Biba.

REZULTATI
Deformimi i rezultatit të zgjedhjeve doli nga rinumërimi i 64 qendrave të votimit në Tiranë, pas kërkesës së Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet dhe kërkesës së Partisë Socialiste.

Por nga hapja e 64 kutive në KQZ, rezultoi se në 24 qendra votimi kanë vjedhur votat nga grupet e numërimit, të cilët kanë favorizuar partitë e mëdha, duke i shtuar vota që nuk u gjetën në kuti.

Zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxhaj, në një deklaratë për mediat sqaroi se për 24 qendra votimi në qarkun Tiranë, rezultati i dalë nga rinumërimi ishte i ndryshëm me rezultatin e nxjerrë nga grupet e numërimit në VNV.

“Anëtarët e grupeve të numërimit që kanë numëruar votat për këto qendra, kanë shënuar në tabelën e rezultatit numër më të vogël votash për disa subjekte dhe numër më të madh votash për disa subjekte të tjera, krahasuar me numrin real të votave që u gjendën në kutinë e votimit, duke favorizuar disa subjekte zgjedhore”, sqaroi Hoxhaj.

Sipas rezultatit përfundimtar të KQZ-së, PS në këto zgjedhje është favorizuar nga numëruesit, duke i shtuar rezultatit të saj në 64 kuti 70 vota më shumë, por i janë vjedhur 32 vota. PD është ndihmuar nga numëruesit duke i shtuar 98 vota në 64 kuti, por në të njëjtën kohë grupet e tjera të numërimit i kanë vjedhur 30 vota.

Edhe LSI listohet si parti që ka vjedhur vota, ku nga 64 kuti rezulton të ketë përfituar padrejtësisht 82 vota. Ndërkohë që i janë hequr vetëm 6 vota nga rivalët. Edhe subjektet e tjera politike, përfshirë edhe PDIU-në, rezultuan të kenë vjedhur dhe t’i jenë vjedhur vota. KQZ apeloi të gjithë personat apo subjektet politike që kanë dyshime të arsyeshme apo prova për shkelje të ligjit zgjedhor, t’i dorëzojnë ato në prokurori./Panorama

Dritan Demiraj fiton gjyqin, rikthehet si Kolonel në Forcat e Armatosura

Ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj, ka fituar betejën në Gjykatë më Ministrinë e Mbrojtjes, duke u rikthyer në detyrën që mbante në vitin 2014, atë të kolonelit në Forcat e Armatosura.

Në këtë mënyrë, Demiraj ka fituar të drejtën për të qenë sërish pjesë e Forcave të Armatosura.

Në studion e Ora News, Demiraj tha se reforma në drejtësi ka filluar të japë efektet e para, edhe pse është pak për ta quajtur sukses. Madje shtoi: “Eshte bere presion i jashtëzakonshëm që unë të mos kthehem në punë”

Më konkretisht, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë, Tiranë, vendosi të shfuqizojë urdhrin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe të rikthejë Demirajn në detyrën e mëparshme ose në një detyrë të të njëjtit nivel, si dhe pagesën për të gjithë periudhën që ka qenë i liruar nga detyra.

Po ashtu, të gjitha shpenzimet gjyqësore i ngarkohen Ministrisë së Mbrojtjes.

PSE PS E EDI RAMËS NUK MUND TË QEVERISË E VETME? – Nga Ramiz LUSHAJ

Edi Rama, edhe kësaj here, e ka disi të vështirë ta mbajë i vetëm “timonin” e kryeministrit të Shqipërisë, pavarësisht faktit se e ka sigurue shumicën parlamentare me 74 mandate. Atij, ndoshta, i duhet me e ndá “tepsinë” me të tjerët, me aleatë politik të vjetër apo të rinj.  Kjo nuk është e kushtëzuar vetëm nga “Reformat e mëdha” si: Kushtetuta e Re, Kodi Zgjedhor, ecuria e Reformës në Drejtësi, ndoshta rishikime në Ndarjen Administrative në bashki e rajone, etj. As nga ndonjë Marrëveshje e hapët apo e fshehtë Rama-Basha. As nga ndonjë porosi apo kusht i ndërkombëtarëve për antarësim në BE, etj.

 
Kjo ka të bajnë me një fakt tjetër, do të ndikohet fort edhe vet nga pushteti lokal i PS në të gjithë Shqipërinë, sepse prishja e aleancave të vjetra me LSI e me PDIU, numri i konsiderueshëm i këshilltarëve të PD-së e aleatëve të saj, e çojnë atë masivisht në Opozitë. Në shumë bashki e qarqe, po të duan forcat politike në opozitën e re LSI e PDIU dhe opozita e vjetër me PD e të tjera parti së djathtës, ia bllokojnë me mekanizmin demokratik të votës funksionimin e pushtetit lokal si në miratimin e buxhetit, në marrjen e vendimeve, etj.
 
Kështu, nga një këndvështrim në dy qarqe të mëdha të Shqipërisë, në Tiranë e në Durrës, shohim se PS në pushtetin lokal del në Opozitë, pasi në asnjë bashki nuk e ruan dot shumicën e këshilltarëve.
Këshilli Bashkiak i Tiranës i ka 61 mandate këshilltarësh, çka do të thotë se me daljen e LSI e PDIU në opozitë të re dhe opozita e vjetër me PD e aleatët e saj, e lanë PS veç me 25 mandate e me një aleat të vetëm të saj FRD me 1 këshilltarë. Pra, PS mbetet me më pak se gjysmën e këshilltarëve. Ndodh si në kohën e Lulzim Bashës në Bashkinë e Tiranës, ku me ikjen e LSI nga pushteti qëndror PD me aleatët rá në opozitë, në vështirësi vendimmarrjeje. Ndaj, prapë provohet ajo thania urtnore e përjetshme: çka t’ia bajsh ti dikujt ta ban dikush ty. Këshilli Bashkiak i Kamzës i ka 41 këshilltarë gjithsejt, ku me daljen në opozitë të re të LSI e PDIU, forca politike PS me aleatët e saj ka vetëm 10 këshilltarë. Këshilli Bashkiak 31 vendësh i Kavajës do të ketë 18 vende të PD me aleatët dhe me LSI e PDIU. Edhe në Këshillin Bashkiak të Vorës, me 21 vende, për PS me PASH mbeten vetëm 4 këshilltarë.
Këshilli Bashkiak i Durrësit me 51 vende do t’i kenë 31 vende PD me PR dhe LSI e PDIU, ndërsa në Këshillin Bashkiak të Krujës me 31 vende do t’i kenë 18 prej tyre PD me aleatët dhe LSI, kurse në Këshillin Bashkiak të Shijakut me 21 vende opozita e vjetër dhe e re, PD me aleatët e saj dhe LSI, do t’i kenë 11 vende.
 
Pasqyra e Zgjedhjeve Vendore të vitit 2015 tregon se me numrin e këshilltarëve të PD e aleatëve të saj, si dhe me ikjen nga koalicioni i derisotëm mazhoritar i LSI e i PDIU, forca fituese e vetme e Zgjedhjeve Parlamentare 2017, Partia Socialiste në pushtet, del në Opozitë pothuaj në të gjithë Shqipërinë. PS mbetet në shumicë vetëm në bashkitë e mëdha Vlorë e Korçë e në ato ma të vogla si Kuçovë, Poliçan, Bulqizë, Gramsh, Librazhd, Prrenjas, Këlcyrë, Kolonjë, Mirditë, Pukë, Himarë, Konispol. Vetëm në 14 bashki nga 59 që ka e gjithë Shqipëria gjithsej, pa e llogaritë bashkinë e Pustecit në Qarkun e Korçës dhe atë të Finiqit në Qarkun e Vlorës, që kanë në shumicë të qeverisjes lokale parti të komunitetit të tyre etnik.
 
Sigurisht, kjo do të jetë humbja ma e madhe e PS në të gjithë historinë politike të saj në vitet e Tranzicionit Shqiptar. Një humbje e thellë. Humbje e papaparë e forcës së parë. Ende askush nuk i ka hyrë kësaj çështjeje të kësaj humbjeje katastrofë për PS, sepse ende nuk kemi një konfigurim real zyrtar të forcave politike të mazhorancës dhe të opozitës.  Çështja shtrohet qartë: PS do të qeverisë e vetme në mazhorancë dhe të jetë humbëse në opozitë në pushtetin vendor apo do të qeverisë në koalicion me forca të tjera politike që të jetë në shumicë në të dyja pushtetet, të ketë ma shumë lehtësi në kryerjen e reformave dhe të rrijë në qeverisje me një mandat të plotë?!

Civici: Financimi me fajde, fenomen shumë i dëmshëm dhe i rrezikshëm

Nga mungesa e kulturës financiare, tek ajo e tregjeve sekondare financiare janë ndër arsyet pse bizneset po shkojnë drejt gjetjeve të financimeve jashtë bankave. Për Presidentin e UET-së, Adrian Civici, rritja e këtij fenomeni është tejet negative. “Kemi të bëjmë me një fenomen shumë negativ dhe të rrezikshëm për ekonominë, bizneset dhe individët. Kemi të bëjmë me një fenomen, kundrejt të cilit duhet bërë çdo përpjekje për ta minimizuar dhe eliminuar, pasi pasojat e tij negative janë jo vetëm me natyrë ekonomike e financiare, por edhe sociale”, thekson ai në një intervistë për gazetën.

Nga ana tjetër, Civici e shikon edhe si “pozitive” rritjen e kërkesës për financim nga ana e bizneseve, edhe pse në afatgjatë ai thekson se ky fenomen duhet të ndalohet me të gjitha mënyrat. Banka e Shqipërisë raporton për një rritje të fenomenit të “gjetjes alternative të burimeve të financimit” nga bizneset. Si ndikon kjo në ekonomi?

Nga një këndvështrim afatshkurtër dhe strikt ekonomik, alternativat e reja të financimit dhe krijimi i mundësive për një përdorim më të gjerë të parasë në ekonomi, mund të thuhet se rritja e fenomenit të “gjetjes alternative të burimeve të financimit” është diçka pozitive. Në logjikën e kërkesë-ofertës monetare, ky fenomen “përkthehet” si një situatë në të cilën konvergon ekzistenca e likuiditeteve të ngurtësuara që kërkojnë mënyra alternative për t’u investuar dhe kërkesës aktive për para në treg. Është fakt që Shqipëria e ka përqendruar mbi 95% të kreditimit të individëve apo bizneseve vetëm te sistemi bankar duke mos gjetur akoma mënyra alternativa financimi që lidhen ngushtë me ekzistencën dhe funksionimin e tregjeve alternative financiare siç janë bursa, tregjet e aksioneve dhe obligacioneve, fondet e investimeve.

Pra, e thënë ndryshe, neve na mungojnë tregjet sekondare dhe terciare financiare që krijojnë dinamika aktive financimesh. Por, në rastin e shqetësimit më të fundit të Bankës së Shqipërisë, për rritjen e “alternativave të burimeve të financimit”, bëhet fjalë për një fenomen të rrezikshëm, të dëmshëm dhe me shumë të papritura. Bëhet fjalë për një treg informal të parregulluar dhe pakontrolluar financiar që funksionon jashtë rregullave formale të huadhënies, jashtë kontrollit dhe mbikëqyrjes së institucioneve financiare përgjegjëse për transparencën dhe rregullat bazë të marrëdhënieve monetare. Nga kjo pikëpamje, mund të thuhet pa asnjë hezitim se kemi të bëjmë me një fenomen shumë negativ dhe të rrezikshëm për ekonominë, bizneset dhe individët.

Kemi të bëjmë me një fenomen, kundrejt të cilit duhet bërë çdo përpjekje për ta minimizuar dhe eliminuar, pasi pasojat e tij negative janë jo vetëm me natyrë ekonomike e financiare, por edhe sociale. Shtrëngimi i kushteve të kreditimit mund të çojë në riaktivizimin e skemave piramidale? (Në rastin e individëve është gati gjysma që marrin para borxh jashtë sistemit bankar).

Natyrisht që shtrëngimi i kushteve të kreditimit ka ndikimin e tij në përhapjen dhe zgjerimin e skemave piramidale, por nuk mendoj se ky është shkaku themelor që po provokon një përhapje të tillë që e ka shqetësuar seriozisht Bankën e Shqipërisë. Mendoj se ka edhe disa arsye të tjera më të qenësishme.

Së pari, mungesa e kulturës dhe njohurive bazë financiare e bankare te një pjesë e madhe e popullsisë shqiptare, së cilës i duken mjaft të lodhshme dhe burokratike procedurat e bankave tregtare në dhënien e kredive dhe për pasojë kërkojnë rrugë “të lehta alternative” në tregun jo formal duke besuar gabimisht se aty e zgjidh më shpejt dhe më me leverdi kredinë e kërkuar;

së dyti, një pjesë e individëve apo bizneseve duke mos qenë në gjendje të ofrojnë plane biznesi cilësore e eficiente, garanci pagesash dhe kolateralin e duhur kundrejt shumës së kredisë që kanë nevojë të marrin nga bankat e kërkojnë zgjidhjen te tregu informal duke u mjaftuar me një marrëveshje-premtim jo formal, kontratë gojore në bazë të njohjes dhe miqësisë, apo më e shumta me një kontratë të thjeshtë noteriale.

Në këtë rast ju duket se shmangin detyrimin për të provuar aftësinë e tyre reale paguese, planin e detajuar të biznesit, bilancin e audituar të aktivitetit etj., kërkesa të cilat bankat nuk i tolerojnë; së treti, dhe këtu dëshiroj t’i rikthehem “kushteve të kreditimit që ofrojnë bankat”, në një pjesë të madhe të këtij tregu financiar jo formal me mjaft elemente të skemave piramidale, normat e interesit për “kreditë” e dhëna janë më të larta dhe me kushte më të rënda se sa ato të bankave tregtare.

Rreziku i iluzioneve monetare dhe mungesa alarmuese e kulturës dhe njohurive bankare e financiare, tipike në vendet e varfra dhe ato në zhvillim, janë një shtrat i rrezikshëm për stimulimin e skemave piramidale. Eksperienca e tmerrshme e vitit 1997 nuk është aq e largët sa të harrohet kaq lehtë. Si duhet të sillen bankat e nivelit të dytë në këtë klimë? Në lidhje me sjelljen e bankave tregtare, për këtë problem qarkullon dhe një mendim i gabuar, sipas së cilit “meqenëse ky fenomen po përhapet për faj të bankave që ofrojnë norma të larta interesi dhe kushte të shtrënguara kredidhënie, janë ato që duhet të reagojnë të parat duke ulur normat e interesit dhe lehtë- suar kushtet e kredisë”. Natyrisht që një veprim i tillë nga ana e bankave mund të ndodhë, por jo në mënyrë fiktive dhe aq më pak si reagim formal ndaj përhapjes së tregut informal të kreditimit e financimit.

Në mënyrë të veçantë, normat e interesit dhe kushtet e kredidhënies përcaktohen sipas rregullave të tregut të lirë, kushtëzohen nga niveli i perceptuar dhe studiuar i riskut nga ana e bankave, fiksohen sipas cilësisë së kredimarrësve dhe specifikave të tyre, orientohen nga “çmimi i parasë në treg” dhe gjendja e sektorëve kryesorë të ekonomisë. Në këtë sens, bankat e nivelit të dytë kanë shumë për të rregulluar e qartësuar në lidhje me hartimin e kontratave të kredisë, transparencën dhe qartësinë e tyre, lehtë- simin e procedurave burokratike, thellimin e kulturës bankare e financiare, vlerësimin e kolateralit etj., por kjo nuk ka lidhje me ndonjë detyrim institucional apo social të tyre që, në emër të luftës dhe eliminimit të fenomenit të tregjeve informale të kapitalit, të prishin apo devijojnë rregullat kryesore të funksionimit të sistemit të kredisë dhe financimeve të natyrave të ndryshme.

E nënvizoj dhe njëherë, problemi qëndron tek informimi i vazhdueshëm i publikut për rrezikun e financimit në tregjet paralele informale, te qëndrimet e qarta dhe të forta të Bankës së Shqipërisë në kuadrin e politikës së saj së komunikimit me publikun dhe te bindja e huadhënësve apo huamarrësve informalë se ky sistem jo formal mbart rreziqe të panumërta si për individët apo bizneset e përfshira në këtë veprimtari, ashtu dhe për stabilitetin financiar dhe ekonomik në përgjithësi.

Besnik Mustafaj: Nuk jam unë në Kazino me Astrit Patozin

Voal.ch – Një faqe me emrin Lolita në rrjetin social boton dy foto të astrit Patozit në Kazino duke luajtur bixhoz, të shoqëruar me tekstin “Kur ngatërron partinë me bixhozin”. Po ashtu Lolita shkruan se patozi është në kazino duke luajtur bashkë me Besnik Mustafajn.

Por ka reaguar menjëherë zoti Mustafaj i cili shkruan si më poshtë:

“E dashur Lolita, per hire te simpatise qe kam per ty, po ta sqaroj se burri, te cilit i ke vene emrin tim, nuk jam une. Une kam shkuar ne kazino me shume se nje here. Por kurre me Astrit Patozin.Nuk kam patur rast. Madje as nuk e di nese atij i pelqen ky argetim. Kam qene me te tjere miq politikane, madje edhe te niveleve te larta, shqiptare dhe te huaj, si dhe me shkrimtare dhe artiste po ashtu shqiptare dhe te huaj. Pra, me siguri qe do te shkoj perseri kur te kem rast. Nje nga shkrimtaret dhe filozofet e mi me te dashur, Albert Camus, fitues i çmimit Nobel, thote per veten e tij se ka shume vese, por nuk eshte rob i asnjerit. Une jam i tille. Por nuk kam bere kurre ne jeten time diçka per t’u ndjere me pas i turperuar. Ky sqarim ka vlere per ty, e dashur Lolita, qe je manipuluar kesaj here, por u drejtohet edhe te gjithe dashamireve dhe dashakeqinjve te mi. Secili prej tyre le ta lexoje sipas menyres se vet.

Mbi heroizmin në shoqërinë tonë – Nga Filip Çakuli

Shtypi shqiptar është i mbushur me lajme për heroizmin nga nevoja për t’u lexuar. Në krye të radhëve shfaqen për shembull titra se “Selami kreu një akt heroik”, se guxoi të kritikonte edhe Berishën. Edhe Kreshniku u trajtua si hero, që braktisi politikën një herë e përgjithmonë.

Po edhe kryeministri na doli hero kombëtar, që së bashku me heronjtë e tjerë rilindas, ia doli mbanë në një fushatë heroike me një tepsi dhe një kazan në dorë. Këtu nuk futen heronjtë e dekoruar nga Presidenti dhe as futbollistët e kombëtares…të cilët janë dhe heronj me letra.

Në suazën e këtij heroizmi të përgjithshëm, një djalë nga Tetova, që pushonte në Zvërnec të Vlorës, u hodh ne dallgët e detit, për të shpëtuar dy vajza që po mbyteshin. Dhe nuk doli më. Dha jetën, për të shpëtuar dy jetë te tjera. Ky akt vërtet heroik i tij, kaloi në heshtje nga mediat tona. Sepse atë ditë te sakrificës sublime të Beniaminit tetovar, shtypi u mor me ngjarje te tjera të rëndësishme; me takimin e Selamit ne Tropojë, çfarë u tha Basha demokratëve në Durrës, pse hesht Berisha për zgjedhjet brenda partisë së tij, (çudi me këtë lider histerik, kur flet i thonë kush e dëgjon atë, kur hesht, pse nuk i ndihet zëri).

Lajm ishte atë ditë dhe kapja e një sasie droge, po në Vlorë, lajm edhe pse ia mbajti kaq gjatë të shtrënguar dorën Trumpi, presidentit francez, po ndërkohë shqiptarët ishin të interesuar atë ditë pse Muç Nano nuk binte dakord me Tos Lubonjën dhe Andi Bushati ishte kundër të dyve…

Pra, përpos gjithë këtyre lajmeve me heronj politikë protagonistë, lajmi i madh i ditës, i aktit të lartë të Beniaminit, kaloi në heshtje. Njeriu i ditës duhej të ishte ky djalë i mrekullueshëm, që la të fejuarën në breg të detit dhe u nis, pa e ndjerë që nuk do kthehej më.

Akti i tij human dhe fisnik u mbyt në “kazanin tone” mediatik (në këtë rast vërtet e meriton një emërtim të tillë). Beniamini meritonte tërë mirënjohjen tonë, jo vetëm të mediave, po edhe të shtetit. Sepse është e pafalshme për ne të gjithë, përcjellja e tij si një viktimë e “seksit mashkull” e mbytur në Zvërnec, sipas njoftimit të policisë.

Në fakt ai është i vetmi hero i këtyre ditëve, që sakrifikoi jetën e tij të porsa nisur, për jetë të tjera, që as nuk i njihte…Heronjtë e shtypit tonë, sakrifikojnë nervat tona, për gjëra që është heroizëm, po arrite ti lexosh deri në fund.

Rama ultimatum Haki Çakos: Zoti Drejtor kap kokat e krimit pastaj bimët

Gjatë ditës së sotme kryeministri Edi Rama mblodhi Task Forca e posaçme për drogën, aty ku është bërë një raportim mbi situatën pas operacioneve të fundit.

Sipas të dhënave të nxjerra nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Haki Çako 51 efektivë policie janë hetuar e pezulluar nga detyra dhe 14 prej tyre janë arrestuar për lidhjet me trafikantët e drogës.

Ndërsa gjatë fjalës së tij kryeministri Rama paralajmëroi se muajt në vijim janë muaj rreziku për kultivimin e kanabisit, duke i bërë thirrje policisë që mos mbyllë sytë.

“Ky proces duhet të vazhdojë deri në fund dhe muajt që kemi përpara janë muaj rreziku kështu që nuk duhet mbyllur syri dhe duhet çdo moment të vazhdohet intesivisht qasja e integruar me institucionet e tjera. Edhe roli i SHISH, Prokurorisë në përgjigjen e shpejtë ndaj kërkesave të policisë kanë qenë dhe mbeten të rëndësishëm deri në fund të këtij procesi.

Policia e Shtetit paralelisht me pastrime  kanabisit nga harta e Shqipërisë po kryen me vendosmëri edhe pastrimin nga radhët e veta nga punonjësit e lidhur me këtë veprimtari kriminale. Zoti drejtor kap kokat e krimit pastaj bimët. Jo bimët e shohim e bëjmë për kriminelët.

Vendosmëria në kryerjen pa asnjë kompromis të këtij vetëpastrimi është një ndër arsyet e suksesit në këtë drejtim”, tha Rama.

Kuvendi i kërkon Gjykatës Kushtetuese rrëzimin e padisë për reformën në drejtësi

Në prag të vendimit të Gjykatës së Kushtetuese për padinë e fundit të dy shoqatave të gjyqtarëve, Kuvendi i Shqipërisë argumenton se kërkuesve u mungon legjitimiteti dhe se procesi i kontrollit të pastërtisë së figurës është bazuar tek standardet ndërkombëtare.

Materiali është një bashkëpunim i Zërit të Amerikës me Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Investigative, BIRN.

Më 19 korrik, Gjykata Kushtetuese do të marrë vendim mbi padinë e përbashkët të Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve dhe Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë, të cilët kërkojnë shfuqizimin e 25 neneve nga paketa e tre ligjeve kryesore të reformës në drejtësi.

Sipas padisë së dorëzuar më 1 qershor në Gjykatën Kushtetuese, dy shoqatat që përfaqësojnë interesat e lobit të gjyqtarëve kërkojnë të bëjnë nul një seri kriteresh që lidhen sistemin e ri të karrierës dhe atë të procedimeve disiplinore në gjyqësor.

Në të njëjtën kohë, padia dominohet nga përpjekja për të shfuqizuar e një numër nenesh të ligjit të vetingut, të cilat rregullojnë kontrollin e pastërtisë së figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve përsa i përket lidhjeve dhe përfshirjes së tyre me krimin e organizuar.

Më konkretish, shoqatat kërkojnë shpalljen si antikushtetuese të pikave në ligj që legjitimojnë mbledhjen e informacioneve nga dëshmitarë të mbrojtur të prokurorisë, nga përgjimet telefonike të kryera nga agjencitë ligjzbatuese apo nga dëshmi konfidenciale që mund të mbërrijnë në institucionet e vetingut nga oficerë apo agjentë të policisë gjyqësore.

Shoqatat kërkojnë gjithashtu që gjyqtarët dhe prokurorët e përfshirë në procesin e vetingut të kenë të drejtën të japin dorëheqjen në çdo kohë, duke sjellë si rrjedhojë ndërprerjen e kontrollit. Sipas ligjit për “rivlerësimin kalimtar”, kjo e drejtë ka skaduar tre muaj pas hyrjes në fuqi të tij.

Pretendimet e dy shoqatave të gjyqtarëve hidhen poshtë si të pabazuara nga Kuvendi i Shqipërisë, i cili përmes një argumentimi të gjatë që BIRN e disponon, i kërkon Gjykatës Kushtetuese që të rrëzojë tërësisht kërkesën.

Kërkesa e Kuvendit për Gjykatën Kushtetuese, e cila është firmosur nga kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Vasilika Hysi bazohet në tre argumente kryesore; mungesa e legjitimitetit formal nga kërkuesit, shqyrtimi dhe rrëzimi i disa prej pretendimeve në vendimet e mëparshme të Gjykatës Kushtetuese dhe tek fakti se parimet për kontrollin e figurës janë ndërtuar mbi bazën e standarteve më të mira ndërkombëtare.

Kuvendi pretendon se padia nuk duhej të ishte pranuar që në fillim, pasi avokati që mbron interesat e dy shoqatave të gjyqtarëve nuk rezulton në listën e avokatëve që mund të ushtrojnë profesionin përpara Gjykatës Kushtetuese. Sipas tij, në dosje mungon gjithashtu një autorizim nga Këshilli Drejtues i Unionit të Gjyqtarëve si dhe të dyja shoqatat nuk mund të ngrejnë pretendime për çështje që lidhen me prokurorët.

Një tjetër argument lidhet me parimin e “çështjes së gjykuar”, ku Kuvendi thekson se një pjesë e pretendimeve janë shqyrtuar dhe janë rrëzuar më parë nga Gjykata Kushtetuese.

Pavarësisht këtyre pretendimeve, Kuvendi i Shqipërisë ka shqyrtuar në themel argumentet e shoqatave të gjyqtarëve për kontrollin e figurës dhe i rrëzon ato si të pabazuara.

Kuvendi argumenton se nëse padia e dy shoqatave të gjyqtarëve do të aprovohej, procesi i kontrollit të figurës nuk do të kishte asnjë ndryshim nga detyrimet që rrjedhin nga ligji i dekriminalizimit. Ndërkohë, ligjvënësi ka pasur parasysh një proces krejt të ndryshëm, që lidhet me vlerësimin tërësor të pastërtisë së figurës.

“Pretendimet se në procesin e verifikimit të figurës duhet të përdoren vetëm vendimet gjyqësore nuk qëndrojnë, pasi qëllimi parësor i ligjit është të evidentojë nëse gjyqtarët ose prokurorët janë të përshtatshëm për ushtruar funksionet e tyre përmes një procesi administrativ/ disiplinor dhe jo përmes një procesi penal,” thekson Kuvendi.

Sa i përket ankesës për shtrirjen e kontrollit të figurës edhe tek personat e lidhur, Kuvendi rikthen në vëmendje opinionin e komisionit të Venecias që nuk e quan këtë “një gjëtë vështirë, nëse gjyqtarët dhe prokurorët nuk kanë realisht lidhje me krimin e organizuar”.

Ndërkohë, Kuvendi thekson se një praktikë e tillë ndiqet nga punonjësit civilë dhe ushtarakë të NATO-s, familjarët e afërt të të cilëve kanë gjithashtu detyrimin për të raportuar mbi lidhje të papërshtatshme.

Lidhur me kërkesën që gjyqtarët ose prokurorët duhet të kenë të drejtë në çdo kohë të japin dorëheqjen, Kuvendi shpjegon se kufizimi tre-mujor është vendosur vetëm për “dorëheqjen e privilegjuar”, e cila parashikon edhe përfitimin e një pagese kalimtare.

“Dorëheqja është një e drejtë kushtetuese dhe ligjvënësi nuk ka pasur për synim ta kufizojë atë. Sipas nenit në fjalë, subjekti i rivlerësimit që jep dorëheqjen pas përfundimit të këtij afati nuk mund të kërkojë pagesë kalimtare,” thotë Kuvendi.

Padia më e fundit në Gjykatën Kushtetuese nuk është sfida e parë që i bëhet reformës në drejtësi. Gjykata Kushtetuese ka shqyrtuar më parë dy padi të Partisë Demokratike dhe një të tretë nga dy shoqatat e mësipërme, duke pranuar pjesërisht të shfuqizojë një sërë nenesh në dy raste.

Basha nga Shkodra, flet për herë të parë për kundërshtarët dhe Topallin

Në përfundim të takimit që pati me demokratët në qytetin e Shkodrës, Basha përpara medias është pyetur lidhur më akuzat se gara është farsë por edhe për deklaratat e bëra nga ai se ‘nuk kemi më nevojë për bllokmenë’, duke iu referuar Jozefina Topallit.

 

Gara po cilësohet si farsë?

Basha: Komente për këtë të japin anëtarët. Unë jam kryetar. Anëtarësia e Partisë Demokratike është gjyqtari më i mirë jo vetëm për rezultatin e garës por edhe për përmbajtjen e garës. Kam 4 vite që luftoj për këtë e gara ka qenë e pabarabartë.

Po flitet për një garë të pabarabartë?

Basha: Faleminderit! Faleminderit! Faleminderit! Nuk ka asnjë të vërtete. Pse gara është e pabarabartë? Mos merrni grimca. Futeni në kontekst. Ka një kontekst.

Po për zonjë Topalli pse nuk dhatë përgjigjje?

Basha: Nuk kam asnjë përgjigjeje për emra të përvetshëm.

I quajtët bllokmenë?

Basha: Jo s’është e vërtetë, ky është një mashtrim. Ky është një mashtrim total që i shërben Edi Ramës. Këto janë mashtrime në bllok nga ata që i shërbejnë përçarjes së PD-së, por nuk kanë për të ja dalë kurrë. Shiko, keni një problem, mos cito duke qenë jashtë kontekstit. Takimi ka qenë i mirë dhe demokratët kanë qenë brenda e kanë parë të vërtetën, mos spekuloni.

Drama e PD-së ka emrin e Berishës – Nga Andi Bushati

Partia Demokratike po përjeton ditët e saj më të zymta duke kërkuar të unifikohet rreth figurës së Sali Berishës, që prej më shumë se pesë vitesh po e tërheq atë drejt greminës. Nga ish-hirerkë të lartë të kësaj partie që njihen për qëndrimet e tyre kundër Bashës e deri tek zëra intelektualësh të afishuar pranë opozitës kanë bërë apele për një rikthim të doktorit, si një kompensim ndaj tinëzisë, skuthllëkut dhe meskinitetit të pasardhësit.

Sado absurde të duket kjo kërkesë për rikthim, ajo mund të justifikohej me zhgënjimin, pafuqinë dhe pazarllëkun që ka ngjallur udhëheqja e Lulzim Bashës. Ajo mund të konsiderohej si një shpërthim nga mllefi dhe mungesa e shpresës.

Por, fatkeqësisht nuk është kështu.

Sot e gjithë drama e partisë më të madhe të opozitës po zhvillohet rreth një figure që e mban atë me fytyrë nga e shkuara.

I pari, vetë Basha i ka hedhur gjithë hapat e prishjes së garës së 22 korrikut, e shndërrimit të sfidës në farsë, pasi doli “i ngrirë” nga zyra e doktorit. Vetëm pas kësaj ai adaptoi të njëjtën skemë si ajo që Berisha i la gati katër vite më parë në betejën kundër Olldashit. Vetëm pas kësaj, ai huazoi të njëjtën metodë duke spastruar gjithkënd për t’i hapur rrugën vetes. Pra, nuk ka diskutim se Basha po përdor linjën që ka mësuar nga Berisha dhe me bekimin e tij të plotë.

Por çudia vjen e bëhet më e madhe kur shikon se si kundërshtarët më të egër të Bashës, bëjnë kujdes që të sillen sikur nuk e shohin këtë anomali. Ata hiqen sikur besojnë se Berisha nuk i ka nxjerrë nga zemra, se ai nuk ka dhënë viston për t’i flakur, se ai nuk është po aq i vendosur për të kontrolluar përmes pasardhësit edhe atë pak PD që mund t’i mbetet në të ardhmen. I gjithë ky grup të përjashtuarish po humbet përditë besimin duke u futur në situatën absurde të thënies së gjysëm të vërtetave, ndërkohë që kredoja e tyre është transparenca.

Edhe kandidati tjetër në garë, Eduart Selami që ka diskurin e një sfiduesi ekselent, por që bën veprime prej politikani naiv, nuk nguron të thotë se Berisha është një vlerë e PD-së, që i ka thënë sy më sy se do të jetë neutral në këtë garë.

E po t’i shtosh këtyre qëndrimeve të aktorëve të përfshirë në betejë edhe zërat publikë që e shohin doktorin si shpëtim, gjëndja bëhet gjithnjë e më e pashpresë.

Ajo nuk është e tillë për faktin e thjeshtë se Berisha do ende Lulin dhe në emër të tij ka vendosur të vrasë garën.

Ajo nuk është shqetësuese vetëm për faktin se “babai” nuk ka turp të heshtë për mëkatet e të “birit”.

Përmasa e dramës është më e madhe.

Fakti që të gjithë në PD, qoftë armiq të betuar me njëri- tjetrin, qoftë kundërshtarë dinjitozë, apo qoftë mendje më të lira pa tesër parite, asnjëri nuk imagjinon një zgjidhje pa Berishën, flet për tokën djerrë që ka lënë ai nga pas.

Fakti se as nga brenda mureve të selisë dhe as nga ata që e duan PD-në nga jashtë, nuk arrihet të projektohet një rrugë e re, një model i ri, një kthim krahësh si ai që i bëri Anxhela Merkel, Helmut Kohlit, është thelbi i krizës që po kalon kjo parti.

Problem i saj real nuk është kjo garë qesharake. Madje as ajo e katër viteve më parë kundër Oldashit. Sado manipulative, antidemokratike dhe të shpifura të jenë ato, po aq mund të shihen edhe si simptoma të një demokracie jo perfekte. Si zgjatime të përçudnuara të anomalive që ndodhin edhe në vende shumë më të zhvilluara të perëndimit.

Por, fakti se në PD nuk lind dot një rrymë mendimi anti berishiste dhe as nuk lulëzojnë dot personat që ta sendërzojnë atë, është mjerimi i vërtetë i kësaj force politike.

Problemi i saj real nuk është marrja peng e kutive që po bën Basha, por marrja peng e mendjeve që ka bërë prej kohësh Berisha.
Pa u çliruar nga kjo, çdo garë do të vijë e do të bëhet më e pabarabartë se ajo e katër viteve më parë dhe akoma më groteske se kjo e këtij korriku.

Dhe shqiptarët do të bëhen gjithnjë e më të shumtë që do të braktisin këtë parti që ende nuk po di ta lexojë, ndëshkimin plebishitar që ata i dhanë Sali Berishës në 2013. (lapsi.al)

Beniamini, djali nga Tetova që duhej përcjellë si hero – Nga Mentor Kikia

Ky djalë, Beniamin Ferati, ishte në lulen e rinisë, vetëm 24 vjeç. Ai humbi jetën në përpjekje për të shpëtuar jetën e dy vajzave, që po mbyteshin në plazhin e Zvërnecit, në Vlorë.

Lajmi për tragjedine e trefishtë u përcoll me tragjizmin që meriton një ngjarje e tillë. Të gjithë iu referuam listës së viktimave, sipas policisë.

Por vetëm kaq.

Të riun nga Tetova mediat tona, në pjesën dërrmuese, e trajtuan si viktimën e radhës në det, a thua kishte pësuar infarkt. “U mbytën dy vajza dhe një djalë që kishte hyrë ti shpëtonte ato”.

Në fakt ky djali që kishte hyrë ti shpëtonte vajzat që po mbyteshin nuk është thjeshtë një viktimë deti.

Ai bëri një akt heroik, një akt që meritonte e meriton tërë mirënjohjen e shoqërisë shqiptare dhe media duhej të jëpte e para sinjalin e kësaj mirënjohjeje.

Mendoni pak sikur ky djalë të ishte kapur duke përdhunuar një vajzë në pyllin e plazhit të Zvërnecit.

Fotoja e tij do të ishte bërë poster në të gjithë mediat, do të shpërndahej nga riprodhuesit e lajmeve të zeza në rrjetet sociale, për ditë me radhë.

Vetëm fare pak faqe online komentuan shkurt veprimin e tij prej heroi.

Ndërsa shumë te tjera iu referuan thjeshtë si “një viktimë e seksit mashkull”, sic raportohet në njoftimet e policisë.

Ne që rendim të bëjmë heronj lloj-lloj kriminelësh e grabitësish, duke u rrëmuar e publikuar fotot e tyre që nga fëmijëria, kishim një hero dhe e trajtuam pa shumë mirënjohje.

Ai nuk duhej lënë të kalonte kufirin si një viktimë spitalore. Në një shoqëri ku sundon mizerja, ne kemi nevojë për të tillë heronj.

Po, këta janë njerëzit që duhet të ngrejmë e tundim si flamuj të modelit shoqëror, jo hajdutët e vrasësit.

Dhe Beniamini është një prej këtyre modeleve.

Këta që flasin sot për demokraci në PD, më bënë gjyqin publik mua

Partia Demokratike është në udhëkryq, ndërsa eksponente të saj janë rreshtuar në dy kampe, pro dhe kundër Bashës.

Figurat e PD kundër Bashës akuzojnë kreun e ngrirë të tyre se me anë të procesit zgjedhor po cenon demokracinë e brendshme të partisë.

Këtë situatë e ka komentuar edhe ish-deputetja e PD, Mesila Doda e cila përmes një statusi në Facebook thotë se shumë prej atyre që flasin sot për demokraci në PD ishin ata që i bënin gjyqin publik para dy vitesh e deri para pak javësh.

“Shumë e çuditshme, sot po më kujtohet ajo shprehja… çfarë ke mbjellë, do korrësh…

Shumë prej këtyre që flasin sot për demokraci në PD, ishin ata që më bënin gjyqin publik mua para dy vitesh e deri para pak javësh dhe i dukej e tmerrshme, kur flisja për demokraci të brendshme e për nevojën e rregullave demokratike në parti…”, shkruan Doda.

Kumanovë: Ish-ministri Ahmetaj flet nga spitali: Pse ndodhi aksidenti

Ish-ministri i Financave, Arben Ahmetaj, u përfshi dje pasdite në një aksident me makinë në Maqedoni.

 

Ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 17:30 në kryqëzimin e autostradës në pikën kufitare Tabanoc – Kumanovë në krahun që përfshin rrugën magjistrale të Kumanovës dhe Kriva Pallankës.

Përplasja ka ndodhur mes një autobusi udhëtarësh dhe dy automjeteve të pasagjerëve, njëri prej të cilëve “Range Rover” me targa të Shqipërisë AA 908 PY, në të cilin ishte pasagjer dhe ish-ministri i Financave të Shqipërisë, Arben Ahmetaj.

Ky i fundit ka marrë lëndime të lehta pa pasoja serioze ndërsa në këtë ngjarje, janë plagosur edhe disa persona të tjerë.

Në një prononcim për gazetën “Panorama”, mbrëmjen e djeshme ish-ministri Arben Ahmetaj bëri të ditur se është në gjendje të mirë shëndetësore dhe është i shtruar në spital.

Sipas tij, aksidenti ka ardhur si pasojë e lagështisë së rrugës për shkak të reshjeve të shiut të rëna në zonën ku ndodhi ngjarja ditën e djeshme.

Burime nga spitali i Kumanovës thanë mbrëmë se Ahmetaj do të mbahej në spital për disa orë, dhe ditën e sotme mund t’i rikthehet agjendës së tij normale. / PANORAMA

ahmetaj_51500235912 (1) 20158210_780353318798080_2045222033_n 20120916_780353312131414_1149707079_n

Sequestrohen 16.5 ton marijuanë

Shqiperi, sekuestrohen sasi te medha droge

 

Një operacion i gjerë i policisë, i shtrirë në disa qarqe të vendit ka çuar në sekuestrimin e një sasie të madhe marijuane e cila mendohet të jetë afërsisht 16.5 tonë. Vetëm në zonën e Vlorës ku u angazhuan mbi 150 forca policore, janë gjetur në tri banesa, sasi të konsiderueshme me lëndë narkotike nëpër dhoma, në formë të presuar dhe çokollate, të ndara nëpër pako dhe thasë plastikë të zinj. Në total mendohet se sasia e kapur mund të jetë mbi 15 tonë.Policia njoftoi se “është konstatuar një bazë e gjërë materiale si presa, sita, përbërës kimikë, apo vaj hashashi, të cilat shërbenin jo vetëm për presimin e lëndës narkotike por edhe të përpunimit të saj me përbërës kimikë duke i dhënë formën e çokollatës e të tjera. Janë sekuestruar 5 armë zjarri automatik Kallashnikov”. Dhjetra persona janë arrestuar, prej të cilëve, 9 janë arrestuar në flagrancë. Dy prej tyre janë punonjës policie: Avdyl Sinanaj, 56 vjeç, inspektor në Komisariatin e Policisë Vlorë, I arrestuar për veprën penale “Shpërdorim detyre”, si dhe Lirim Lamaj, 49 vjeç, Inspktor në Komisariatin e Policisë Vlorë, i dyshuar për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”, pasi në oborrin e shtëpisë së tij u gjetën të mbjella 270 bimë të dyshuara si Cannabis Sativa.

Afro 1.3 ton dyshohet të jetë sasia e sekuestruar në Kavajë, në dy automjete që udhëtonin drejt bregdetit. Të paktën katër persona mësohet se janë arrestuar. Dyshohet se droga do të transportohej me mjete lundruese drejt Italisë.

Operacioni i policisë është shtrirë në disa zona të vendit. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, por dhe Ministri i Brendshëm, përgëzuan forcat e angazhuara në ndërhyrjet që nisin që në orët e natës e që çuan në sekuestrimin e sasive të mëdha të drogës. Të dy zyrtarët e lartë u angazhuan për të vazhduar luftën kundër kultivimit të marijuanës, e cila vitin e kaluar njohu një përhapje të gjerë thuajse në të gjithë vendin.

Mbi raportin e “Skuadrës së Shënimeve” të Kryeministrit – Nga Prof. Dr. MAKSIM CIKULI

Sapo lexova një material të publikuar nga vetë Kryeministri (raport i hartuar nga “Skuadra e shënimeve” të tij!?), material, i cili, sipas tij, do të shërbejë për reformimin rrënjësor të zyrave të shtetit.

Jam shkëputur me kohë dhe i disgustuar nga politika dhe zakonisht lajme si ky do t’i përcillja me një nënqeshje të lehtë e me shprehjen “fali Zot se s’dinë ç’bëjnë”. Do të mendoja se listat janë hartuar nga ndonjë specialist letrash anonime, sepse anonimë janë shumica e atyre që përcjellin denoncime pa pasur kurajën e ballafaqimit në gjykata. Por i dalë nga institucioni kryesor i shtetit e me bekimin e vetë Kryeministrit, “kalorësit të reformës në drejtësi”, një material i tillë më duket shumë alarmant për mentalitetin e tij apo të “skuadrës së tij”.

Të shpallësh të korruptuar dikë, nisur nga një denoncim anonim face-book-u, është pak ta quash marrëzi. Sa njerëz anonimë ose me emër e mbiemër denoncojnë përditë vetë kryeministrin… vetëkuptohet që ai duhej të ishte i pari i të gjitha listave.

Nuk do të reagoja fare ndaj këtij budallallëku me brirë, në qoftë se nuk do të më binte në sy, nga mesi i listës, emri i një kolegu dhe miku të nderuar, Profesor Mentor Petrelës. Duke e pasur mik prej dhjetëra vitesh, duke e njohur shumë më mirë se të tjerët, madje edhe se vetë kryeministri që “merr kaq shumë informacion” nga anonimët, nuk do t’i haja kohën kërkujt, duke renditur meritat dhe aftësitë e tij. Vetëm akademitë prestigjioze ku ai është anëtar sikur të rreshtoja, do të më duhej një faqe e tërë. Megjithatë, nuk do të lija pa përmendur vlerësimet e shkëlqyera që i ka bërë në fillim të vitit të shkuar “The New York Times Magazine”, për të cilat ai mori përgëzime nga gjithë ambientet shkencore, përgëzime të cilat, ai me shumë modesti, ia adresoi shëndetësisë dhe vendit tonë. Ndoshta një nga përgëzuesit ka qenë dhe “trajneri i skuadrës së shënimeve”….

Nga përvoja ime e gjatë në administratë, kam mësuar se është e pamundur të jesh i mirë me të gjithë (amico di tutti e di nessuno e tutt’uno). Çdo njeri që ka punuar në kontakt me njerëzit, me hallet e përditshme të tyre, e di se nuk janë të rrallë ata, që nën petkun e hallexhiut, kërkojnë përfitime të pamerituara. Këta janë kontingjenti që më pas kthehen në kandidatët e parë për “letra anonime” ose “fletë rrufe” pa emër.

Minimumi i një institucioni që bërtet gjithë ditën për reformën në drejtësi, do të ishte të bënte verifikimin e ankuesit apo denoncuesit. A përjashton dot skuadra, që denoncuesi të jetë dikush të cilit i është refuzuar KEMP-i apo dërgimi jashtë shtetit për sëmundje që kurohen këtu etj., etj. Në qoftë për arsye të tjera “tepër madhore”, a nuk duhej që çështja të shkonte në gjykatë e më pas të bëhej etiketimi “i korruptuar” për mjekun ose “shpifës” për akuzuesin? Po sikur pas anonimit të fshihej ndonjë koleg ziliqar, ç’do t’i mbetej kryeministrit? A e kupton ai lojën e rrezikshme së cilës po i hyn?

Mentorin e njoh shume mirë. E di se, mbi të gjitha, e plagos mosmirënjohja njerëzore. E ftoj të mos merakoset shumë. Mirënjohësit ndaj tij janë qindra herë më tepër se anonimët shpifës dhe skuadrat e seleksionuesve të tyre.

Si mik i bëj thirrje që të vazhdojë punën e tij të bukur e frutdhënëse në dobi të pacientëve e të mos dëgjojë “pusillanime-t” qofshin këta dhe në zyrat e larta të shtetit.

Me këtë shkrim nuk më shkon ndër mend aspak të bëj apologjinë e 99 të tjerëve, të cilët as i kam dëgjuar ndonjëherë si emra. Mes tyre mund të ketë plot të korruptuar, por asnjeri nuk mund të marrë atributet e “gjykatësit suprem”, për të botuar lista të tilla që kthejnë në qesharake përpjekjet për të reformuar drejtësinë. Praktikisht, kjo është mënyra më e mirë për të banalizuar problemin e për t’i “mbrojtur” të korruptuarit e vërtetë.

Në Bajram Curri ekspozita me fotografi të Robert Pichlerit, historian, antropolog i mirënjohur austriak

Shqipëria e viteve ’90?  Si ka qenë? Çfarë misteresh mbart? Ndryshimet rrënjësore që pësoi jeta e shqiptarëve; Ngarkesa historike e psiko-sociale e një kombi të çliruar nga kthetrat e regjimit më të egër që kishte njohur e përjetuar deri më atë kohë vendi ynë; Qytetarë të përvuajtur, familje në skamje, lëngimet e jetës së përditshme, por edhe dritëhije gati-gati të padukshme të grimcave të lumturisë të së përditshmes janë vetëm një pjesë e përshkrimit të historisë dhe të jetës së shqiptarëve që na e risjell në vemëndje, nëpërmjet fotografive reale e të gjalla, historiani, antropologu dhe fotografi i mirënjohur austriak Robert Pichler.

Të thëna e të pathëna, të dukshmet e sidomos të padukshmet e jetës së shqiptarëve të veriut të Shqipërisë, dokumentime të ngjarjeve të rëndësishme historike, por jo vetëm. Robert Pichler fotografon vazhdimësinë e jetës Shqiptare përtej përfshirjes së njerëzve në ngjarjet politike.

Ku flinin, çfarë hanin, si gëzonin e si hidhëronin, ku shkonin dhe me çfarë shkonin? Këto dhe shumë fragmente të tjera të jetës reale dhe të së përditshmes së shqiptarëve janë pasqyruar për herë të parë në një ekspozitë që do të çelet sot në qytetin e Bajram Currit.

Më 14 korrik, ora 20:00, zhvillohet inaugurimi i ekspozitës së parë të kësaj natyre, dhe që do të jetë e hapur deri më datë 10 shtator, në ambientet e Muzeut Historik në Bajram Curri, Tropojë.

Kjo ekspozitë do të shoqërohet edhe me një tjetër ekspozitë lëvizëse, krejt e veçantë dhe e parealizuar deri më tani në vendin tonë. Imazhet e ngjarjeve të viteve ’90 do të projektohen në një ekspozitë lëvizëse në stacionin interurban Tiranë-Bajram Curri-Kosovë, ku furgonët e kësaj linje do të mbartin pas vetes imazhe të pashfaqura më parë, të cilat tregojnë marrëdhëniet sociale dhe jetën e njerëzve të atyre viteve.

Mirdita92_FrauenBrucke2_945

Por e gjitha kjo nuk do të mund të ishte realizuar pa mbështetjen financiare të kompanisë më të madhe në Shqipëri dhe rajon, liderit të sigurimeve, SIGAL UNIQA Group AUSTRIA dhe kujdesit të veçantë të vetë drejtorit të SIGAL, Avni PONARI.

SIGAL UNIQA që prej themelimit të saj më 1999, ka qenë dhe mbetet gjithmonë promotori i historisë, kulturës dhe trashëgimisë kulturore të vendit tonë, jo vetëm brenda kufijve por edhe jashtë tyre, kudo nëpër Europë dhe botë.

Photo credits Robert Pichler

Një komb që harron është i destinuar të vdesë! Ndaj na takon të gjithëve që të kontribuojmë në mbajtjen gjallë të historisë së vendit tonë dhe ta risjellim në vëmendje herë pas here për brezat që do të vijnë.

Robert Pichler, autori i ekspozitës, është Historian, Antropolog  dhe Fotograf. Fushat kryesore të kërkimit të tij janë, familja dhe marrëdhëniet farefisnore, migrimi dhe transnacionalizmi, si edhe historia politike e shekullit 19-të dhe 20-të në Europën Juglindore. Ai është momentalisht studiues në departamentin e studimeve ballkanike në Akademinë e Shkencave në Vienë, si edhe pedagog në Qendrën e Studimeve të Europës Juglindore në Graz.

RTR1458O

Topalli – Berishës: Heshtja të bën bashkëfajtor

Jozefina Topalli ju shmang disa herë pyetjes nëse është Sali Berisha që po mbështet Lulzim Bashën në krye të PD-së, veçanërisht pas rezultatit të thellë humbës në zgjedhjet e 25 qershorit, ende pa një analizë humbje.

E pyetur si e vlerëson heshtjen e ish-kryeministrit Berisha për këtë situatë, veçanërisht atë brenda PD-së, ku kritikët janë ngritur kundër Bashës, Topalli shprehet: “Heshtja të bën bashkëfajtor në këtë situatë. Kushdo që hesht. E nis që nga vetja ime. Po indiferenca të bën fajtor. Dikush duhet t’i dalë zot PD-së

Kujtojmë se zoti Berisha është mjaft aktiv në situatën politike në vend e vazhdimisht reagon përmes rrjeteve sociale, por për atë se çfarë po ndodh në Partinë Demokratike që ai drejtoi derisa ja “dorëzoi” Bashës në 2013-ën, ende nuk ka thënë asnjë fjalë.

Figura që themeluan PD-në mbetën jashtë listave të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e qershorit të 2017-ës, të hartuara nga Lulzim Basha.

Ndërkohë më 22 korrik PD zhvillon zgjedhjet për kryetarin e ri të PD-së ku në garë është Basha me funksione që i “ngriu” pas humbjes më 25 qershor, dhe Eduard Selami, i lënë jashtë Kuvendit të ri të Shqipërisë pasi nuk u fut në listat “Basha”.

Topalli hedh edhe një akuzë të fortë kur thotë se Lulzim Basha e ka caktuar rezultatin. “Zgjedhjet në PD janë farsë”, – përfundon ajo.

Selami hap zemrën: Nuk kam votuar Berishën në 1991

Kandidati për kryetar të Partisë Demokratike, Eduard Selami, ka folur për marrëdhënien e tij me ish-kreun e PD-së, Sali Berisha.

Në emisionin “Të Paekspozuarit” në News 24 Selami tha se nuk ka votuar Sali Berishën kur u zgjodh kryetar i PD në vitin 1991, dhe kur grupi i mocionistëve e votoi Sali Berishën.

“‘Grupi i mocionistëve’ që u formua më vonë, votoi për Sali Berishën, ai u zgjodh edhe pa votën time, dhe unë e respektova dhe bashkëpunova ngushtë dhe mirë me të. Nga largimi i mocionistëve më vonë humbi Partia Demokratike dhe jo mocionistët. Unë kam pasur një bashkëpunim të suksesëshëm me Berishën. Unë mendoj që Berishën e mbivlerësoni dhe e mbingarkoni më shumë se ç’duhet.Unë i sfidova autoritetin e Berishës në atë kohë, ai u kthye në një lider autoritar dhe humbi një shans të madh. Në atë kohë situata na rrëshkiti prej duarësh, kjo është brenga ime e madhe. Dështimi i referendumit, aty nisi kthesa e tmerrëshme”, u shpreh Eduard Selami.

Por më pas, Selami thotë se ka patur marrëdhënie të mira me të, dhe ka bashkëpunuar.

Lubonja: Kur kuptova se Berisha ishte “kokë e këmbë si Enver Hoxha”

Duke folur në emisionin “Të paekspozuarit” me kandidatin për kryetar të PD-së, Eduard Selamin, Lubonja fajësoi të gjithë figurat kryesore të Partisë Demokratike se ishin nënshtruar përballë prirjeve diktatoriale të Sali Berishës.

Sipas Lubonjës, situata me të cilën përballet sot Partia Demokratike është pasojë mënyrës se si e drejtoi Berisha për 25 vjet.

“Që në vitin 1991 më tha njëri prej këtyre, dhe nuk dua t’ia përmend emrin sot. “Të gjithë ne jemi nga pak Enver, por ky është kokë e këmbë Enver” më thanë për Berishën. Ishim 9 përfaqësues të partive dhe të shoqatave për të drejtat e njeriut në takimin me Xhejms Bejker.

Normal që Sali Berisha ishte nga njerëzit më të rëndësishëm. Por kishim vetëm 1 orë kohë për t’i folur atij. Gjysëm orë foli Sali Berisha, nga 2 minuta i la gjithë të tjerëve në atë takim”, tregoi Lubonja gjatë emisionit, duke fajësuar edhe bashkëpuntorët e Berishës që nuk folën për largimet e njëpasnjëshme në Partinë Demokratike gjatë viteve të para të demokracisë.

Mbyllet rinumërimi i votave në Tiranë, Shpëtim Idrizi jashtë Kuvendit

TIRANE- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rinumëroi sot 64 kuti votimi të Qarkut të Tiranës të kontestuara nga PDIU dhe Partia Socialiste, nga të cilat rezultoi se kreut të PDIU-së, Shpëtim Idrizi nuk i takon mandati i deputetit. Partia Socialiste arrin të ruajë mandatin e 18-të në Tiranë.

“Beteja” votë për votë në secilën kuti u zhvillua për shkak se PDIU pretendonte se e kishte fituar mandatin e Idrizit që ka humbur për 37 vota, por nga rinumërimi rezultoi se ai ka marrë 5 vota më shumë se në 25 qershor.

KUTI PAS KUTIE

Kutia 64 Mbyllet rinumërimi, Idrizi mbetet jashtë Kuvendit, merr vetëm 5 vota më shumë

Kutia 63 (PDIU ka 6 vota më shumë se në 25 qershor, mbeten për t’u numëruar edhe 3 kuti)

Kutia 61 (PDIU ka 7 vota më shumë se në 25 qershor, mbeten për t’u numëruar edhe 3 kuti)

Kutia 60 (PDIU ka 7 vota më shumë se në 25 qershor, kanë mbetur edhe 4 kuti për tu rinumëruar)

Kutia 59 (Rinumërimi po shkon drejt fundit, kanë mbetur edhe 5 kuti. PDIU ka vetëm 2 votë më shumë se në 25 qershor)

Kutia 58 (Rinumërimi po shkon drejt fundit, kanë mbetur edhe 6 kuti. PDIU ka vetëm 1 votë më shumë se në 25 qershor)

Kutia 55 (Ndryshim rezultati, PDIU merr edhe 3 vota, ka 5 vota më shumë se në 25 qershor)

Kutia 54 (S’ka ndryshim rezultati, PDIU ka vetëm 2 vota më shumë se në 25 qershor)

Kutia 53 (PDIU ka vetëm 2 vota më shumë se në 25 qershor)

Kutia 52 (Ndryshon rezultati, PDIU i ikën një votë, ka vetëm 2 më shumë se në 25 qershor)

Kutia 50 (Ndryshon rezultati në favor të PDIU, ka 3 vota më shumë se në 25 qershor)

Kutia 49 (Ndryshon rezultati në favor të PDIU, Partia e Idrizit ka 2 vota më shumë se në 25 qershor)

Kutia 47 (Ndryshon rezultati në favor të PDIU, Partia e Idrizit ka 6 vota më shumë se në 25 qershor)

Kutia 45 (Ndryshon rezultati në disfavor të PDIU, Partia e Idrizit ka 5 vota më pak se në 25 qershor)

Kutia 43, (S’ka ndryshim rezultati, PDIU ka 2 vota më pak se në 25 qershor)

Kutia 42 (Ndryshon rezultati në disfavor të PDIU. Partia e Idrizit ka tani 2 vota më pak se në 25 qershor)

Kutia 41  (Ndryshon rezultati, PDIU ka 7 vota më shumë se në 25 qershor)

Kutia 40  (Ndryshon rezultati, PDIU ka 6 vota më shumë se në 25 qershor)

Kutia 39 (S’ka ndryshim rezultati, PDIU ka 1 votë më shumë se në 25 qershor)

Kutia 38 (S’ka ndryshim rezultati, PDIU ka 1 votë më shumë se në 25 qershor)

Kutia 37 (Ndryshon sërish rezultati, në total PDIU ka 1 votë më shumë se në 25 qershor)

Kutia 35 (Ndryshon rezultati, PDIU ka 4 vota më shumë se në 25 qershor)

Kutia 33 (PDIU ka në total 1 votë më pak se në 25 qershor)

Kutia 32 (PDIU ka në total 2 vota më pak se në 25 qershor)

Kutia 31 (PDIU fiton edhe një votë, në total ka 2 vota më pak se në 25 qershor)

Kutia 30 (PDIU fiton një votë, në total 3 më pak se në 25 qershor)

Kutia 28 (PDIU me 4 vota më pak se në 25 qershor)

Kutia 27 (Zerohet rezultati i PDIU, nuk ka asnjë votë më shumë se në 25 qershor)

Kutia nr. 1874/2 (PDIU i jane hequr 3 voto)
Në kutinë e 26 PDIU-së i janë hequr dhe tre vota qe i kishin mbetur nga rinumerimi i kutise 25 e cila permbysi rezultatin.

Kutia 25 (PDIU i hiqen 9 vota)
Në kutinë e 25 PDIU-së i janë hequr 9 vota të cilësuara si të pavlefshme. Pra nga 12 qe kishte tani PDIU zbret ne 3 vota.

Kutia nr. 1855 (PDIU bie me 1 votë)
PS ka marrë 279 vota, ndërsa PDIU 9 vota. PDIU ka 1 votë më pak nga numërimi i parë. Pra bie në total në 12 vota më shumë.

Kutia nr. 1845/6 (PDIU bie edhe me 1 votë)
PS ka 310 vota ndërsa PDIU 15 vota. PDIU këtu minus një votë. Janë numëruar 23 kuti nga 64. Në kutinë e 23, PDIU-së iu hoq 1 votë, u cilësua e pavlefshme

Kutia nr. 1819 (PDIU zbret me 3 vota)
PS ka marrë 192 vota; PDIU ka marrë 4 vota. PS minus katër vota, PDIU, 3 vota më pak se në 25 qershor tek kjo kuti. Në kutinë e 22, PDIU-së iu hoqën 3 vota, u cilësuan të pavlefshme

Kutia nr. 1853 (PDIU nuk ndryshon)
PS 186 vota; PDIU 15 vota. Përputhen me rezultatin e 25 qershorit. Nuk ka ndryshime. Shkon në 21 numri i kutive të rinumëruara.

Kutia nr. 1851/1 (PDIU nuk ndryshon)
PS ka marrë 244 vota; PDIU ka marrë 12 vota. PS minus një votë ndërsa PDIU nuk ndryshon. Deri tani janë numëruar 20 kuti nga 64. Idrizit i duhen edhe 22 vota të marrë mandatin në Tiranë. PS shkon në 4 vota minus.

Kutia nr. 1796/1 
PS 187 vota; PDIU 19 vota. PS minus tre vota, ndërsa PDIU nuk ndryshon

Numërohen 19 kuti nga 64

Në 19 kutitë e para, PDIU ka marrë 16 vota më shumë se në 25 qershor. 10 nga votat që mori PDIU, në 25 qershor i ishin llogaritur PDS; 6 votat e tjera për PDIU në 25 qershor ishin cilësuar të pavlefshme.

Kutia nr. 1773 (PDIU 2 vota plus)
PS 193 vota; PDIU 12 vota. Këtu PDIU ka dy vota plus ndërsa PS katër vota plus. Janë numëruar 18 kuti nga 64 gjithsej për rinumërim. Idrizit i duhen edhe 22 vota për të fituar mandatin.

Kutia nr. 1775 (PS bie me 1 votë)
PS-296 vota; PDIU-5 vota. Nuk ka ndryshim PDIU, vetëm PS bie me një votë.

IDRIZI NË KQZ
Kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi ka shkuar në KQZ. Shumë entuziast, Idrizi është afruar tek vëzhguesit, ndërkohë që aktualisht PDIU ka 14 vota më shumë se në 25 qershor në 16 kuti të hapura. Janë ende edhe 48 kuti për t’u rinumëruar. Sipas PDIU me 38 vota plus nga 25 qershori Idrizi mund të marrë mandatin në Tiranë.

Idrizi ne KQZ

Kutia. nr 1771 -(PDIU 1 votë shtesë)
PS 176 vota (PS i hiqet një votë)
PDIU 16 vota. (PDIU 1 votë plus). Janë edhe 48 kuti për të numëruar.

Kutia nr 1736- (PDIU 8 vota shtesë)
PS 266 (Nuk ka ndryshim rezultati)
PDIU mori 8 vota (8 vota i ishin numëruar PDS)

Kutia nr 1757- PS i hiqet një votë
PS 151 (Kishte 152 vota)
PDIU 21 (Rezultati për PDIU në këtë qendër nuk ndryshon)

Kutia nr. 1682/1- PS i shtohet një vote
PS- 210 (Kishte 209 vota)
PDIU-5 (Rezultati për PDIU në këtë qendër nuk ndryshon)

Kutia nr. 1665 – PS i hiqet 1 votë
PS 316 (Kishte 317 vota)
PDIU 7 (Rezultati për PDIU në këtë qendër nuk ndryshon)

Kutia Nr.1615/3 – PS i hiqet 1 votë
PS 299 (Kishte 300 vota)
PDIU 18 (Rezultati për PDIU në këtë qendër nuk ndryshon)
Kutia Nr.1670 – PDIU i shtohet 1 votë
PS 102
PDIU 1 (PDIU më herët në këtë qendër nuk kishte asnjë votë)

Kutia Nr.1608 – Nuk ka ndryshim rezultati
PS 205
PDIU 11

Kutia Nr.15 37 – PS i hiqen dy vota
PS 303 (Rezultati i parë ishte 305)
PDIU 13
Kutia Nr.15 38 – Nuk ka ndryshim rezultati
PS 229 vota
PDIU 7 vota

Kutia Nr.1587 – PDIU i shtohen 2 vota
PS 114
PDIU 2 (PDIU më herët në këtë qendër nuk kishte asnjë votë. Votat ishin për PDS)

Kutia Nr.1532 – Nuk ka ndryshim rezultati
PS 244
PDIU 38
Kutia Nr.2113 – Nuk ka ndryshim rezultati
PS 48
PDIU 1
Kutia me Nr.1558/1 – PDIU i shtohet 1 votë
PS 148 vota
PDIU 1 votë (PDIU më herët në këtë qendër nuk kishte asnjë votë)
WW

Kutia me Nr. 1670 – PDIU i shtohet 1 votë
PS – 102 vota
PDIU – 1 votë (PDIU më herët në këtë qendër nuk kishte asnjë votë)

Kutia Nr.1744 – Nuk ka ndryshim rezultati
PS 121
PDIU 18

PRETENDIMET E PARTIVE
Ndërsa PDIU-ja kërkon një mandat për Shpëtim Idrizin dhe rinumërimin e 41 kutive, edhe PS-ja kërkon rinumërim të 23 kutive, pasi sipas tyre ka mospërputhje mes pamjeve filmike që disponojnë dhe shifrave në tabelat e rezultateve. Shpëtim Idrizi, kreu i PDIU-se e ka humbur mandatin për 38 vota, ndërkohë që PDIU pretendon se asaj i mungojnë të paktën 66 vota në disa kuti votimi në Qarkun e Tiranës.
20049289_318221238603719_18976885_o

20048642_318221225270387_1159097066_o

HEQIN SHQIPONJËN E VËNË NJË QAFË PATE NË FLAMURIN E PAVARËSISË – Nga KOLEC TRABOINI

Një flamur me shqiponjë qafëgjatë si qafë pate na e paska valëvitur në ballkon të Vlorës Plaku Ismail Qemali në 1912. Na paska mashtruar të gjithëve, madje ka mashtruar edhe ata që e kanë parë dhe prekur me dorë atë flamur. Magji u paska bërë Plaku i madh i Vlorës. Nuk i paskan pas sytë në ballë Luigj Gurakuqi, Faik Konica, Dom Nikollë Kaçorri apo dhe Lef Nosi. Kësisoj si në një lojë kungulleshash, sa të ketë në Tiranë televizione e gazeta, historia ndryshon more tungjatjeta.

Por ky nuk është zbulim por spekulim kokë e këmbë. Megjithëse nuk ka as kokë e as këmbë ky studim i thellë në pus të cekët, por ka veç bisht. Bisht si i dhelprës ardhur ndoshta nga qymezet e fqinjëve ballkanikë, se ata e duan Shqipërinë pa histori. E duan gjithçka të dyshimtë e pa taban. Siç patën shkruar dikur në gazetat e tyre fqinjët ballkanikë, se shqiptarët janë njerëz të egër, janë njerëz me bisht, por ua dha përgjigjen At Gjergj Fishta në një konferencë ndërkombëtare. Le ta lexojmë me vemëndje këtë histori jo vetëm për të qeshur, por edhe për të menduar se në çfarë bataku na duan oreks-mëdhenjtë ballkanas për trojet shqiptare, e gjithashtu si duhet t’ua tregojmë vendin që u takon atyre që na e shtrembërojnë historinë me një të rënë të lapsit.
Rrinte në këmbë Fishta ynë i madh.
I tha kryetari që hapte konferencën
“Ulu Atë!”
Po Fishta ngulmoi të mos ulej duke kërkuar një karrige tjetër me vrimë.
“Po pse e do me vrimë?”- i thanë.
“Të vë bishtin!”- ua ktheu.
Aty ishte dhe shkrimtari serb që kishte shpifur për shqiptarët dhe gjithë salla qeshi me atë shkrimtar shovinist.
Tani erdhi koha të qeshim edhe ne me një skicë të një grafisti të panjohur në vitin 1912, e bërë me nxitim në ndonjë kafene të Vjenës për ndonjë honorar, që sipas një “zbulueseje”, ndryshoka realitetin shqiptar të 28 nëntorit 1912 pas një shekulli e kusur. Kështu tregohen përralla në shtypin shqiptar. Dhe  meseleja e përrallës për flamurin me qafë pate gjen jehonë marramendëse në të gjitha televizionet ordinere që nuk kanë as minimumin e njohurive historike apo të kulturës kombëtare. Dhe historianët profesionistë që marrin rrogat nga paratë e popullit, nëpërmjet taksave qeveritare, heshtin si mumje egjiptiane. Pse të prishin qejf ata. Rrogat i kanë të majme, vetë janë si gica, dhe asnjë njeri në pushtet nuk u kërkon llogari sikur të mos ketë qeverisje në këtë vend. Por piramida e mumjeve është vetë Akademia e Shkencave në Tiranë, që hesht dhe ajo si një varrezë.
Ndoshta dikush ua paguan edhe heshtjen.
Por le të tregojmë diçka për flamurët, por edhe për zbulim-shpifjen për portretin “Motra Tone” që nuk na qenka vepër e Kol Idromenos, por e memurëve të qorollepsjes që nuk dinë çfarë të bëjnë e lozin derën.
Në Vjenë është punuar edhe Flamuri i Deçiqit,  një vit më parë se të botohej ajo grafikë ilustruese në Vjenë, që i turbulloi mendjen “zbulueses” si në librat me përralla për fëmijë, pra në mars 1911. Flamuri i Deçiqit është i fotografuar nga Kel Marubi në verë të vitit 1911, se ndryshe edhe këtë si qafë pate apo si sorrë do të na e përshkruanin zbuluesit e shekullit 21. Por shqiponja në flamurin e Deçiqit nuk është një shpend qafëgjatë. Nga kjo del se qarqet në Vjenë e dinin modelin e flamurit shqiptar, por ai grafisti i gazetës ka punuar kuturu në atë model flamuri të stilizuar dhe tani e mbështet si një realitet i padyshimtë dhe kjo studiuesja jonë në një shkrim që nuk ka të bëjë në asnjë drejtim me argumente apo fakte historike. Dhe këtë skicë që e quajnë zbulim epokal në mediat mediokre të Tiranës, e kemi parë me qindra herë në mediat sociale via internet. Madje këtu e shumë vite me parë se kjo studiuesja që e zbulon në facebook të na e servirte. Por ne kemi thënë se ai që e ka bërë, ka stilizuar se nuk e ka pasur të qartë se cili është flamuri i shqiptarëve. Kështu mosdija kthehet në “dijë” prej mjerimit kulturor bashkëkohor.
Po ju përcjellim në vëmendje një flamur shqiptar i dizenjuar dhe shpërndarë nga Parisi nga Alardo Kastrioti që në vitin 1902, që e konsideronte veten pasardhës të Gjergj Kastriotit. Dy flamurë të tillë dhuratë nga Alardo Kastrioti, siç paraqitet në këtë kartolinë të vjetër të asaj kohe,  i ka sjellë fshehurazi nga Parisi në Shkodër Dom Ndoc Nikaj në vitin 1902.Edhe Flamurin e Deçiqit po Alardo Kastrioti e ka paguar. Prandaj këto hamendësime që në Vlorë është shpalosur një flamur tjetërsoj me shqiponjën si portretet e femrave qafëgjata të Pikasos, pra qafë pate, janë sa të pavërteta po aq dhe groteske.
Çfarë nuk ndodh në këtë konfuzion total në shoqërinë shqiptare ku dëshira e shkatërrimit qenka më zotëruese se ajo e ndërtimit. Hidh një i paditur një gurë në ujë dhe shfaqet zbulimi i shekullit ndër shqiptarë të paditur.
Jo pak ditë më parë kështu e hodhi një gur në ujë të turbulluar edhe një restaurator veprash të kishave mesjetare, kur tha se Kol Idromeno nuk e ka pikturuar Motrën Tone. Dhe ngul këmbë si mushka ne shtyp e intervista të fryra kacek, duke mos sjellë asnjë argument shkencor. Të tillë mohues të vlerave kombëtare nuk ja ndjejnë aspak nevojën arsyetimit, por as dhe fakteve. Mjafton zhagitja  në idenë e ngulitur se ata e vetëm ata kanë të drejtë.
O Tempera o Mores! E dimë nga kemi ardhur, por nuk po e dimë nga po shkojmë me këto pasione mohuese. Mbase e bëjnë se, të pazot të ndërtojnë, duan të bëhen të famshëm e të ngelën në histori duke mohuar e shkatërruar si Neroni.
Etja për lavdi është në zenit në tymnajat e Tiranës. Shpifjet e denigrimet në këtë kohë janë në mode. Kohë të marrësh!

12 korrik 2017

Rama publikon listën: 100 zyrtarët e administratës të denoncuar për abuzime

Kryeministri Edi Rama ka publikuar ditën e sotme në profilin e tij në ‘Facebook’, raporton që i është vënë në dispozicion nga Grupi i Punës në lidhje me denoncimit që janë bërë nga qytetarët.

Madje, ai ka shkruar edhe më tej duke publikuar edhe 100 emrat e punonjësve në administratë dhe jo vetëm, që qytetarët janë ankuar për ta.

Postimi i Rames:
RAPORT PËR JU
Më poshtë keni përmbledhjen e raportit që i është vënë në dispozicion Grupit të Punës për reformimin rrënjësor të rrjetit të zyrave të shtetit.
Kjo përmbledhje, ashtu si vetë raporti, është bërë nga Skuadra e Shënimeve, pas leximit dhe kategorizimit në dosje të veçanta të të gjithë komenteve Tuaja në postimin me titull: EKSPERIENCA JUAJ NEGATIVE
Statistika të postit për Eksperiencat negative në Administratë:
Në rreth 3 mijë komente, duke përjashtuar kthimet e përgjigjeve mes komentuesve, komentet e përsëritura apo postimet reklamuese, të vlefshme për kategorizim dhe analizë ishin rreth 2068 komente nga të cilat:
310 JO-ADMINISTRATË: Grup komentesh që nuk lidheshin as me administratën qendrore dhe as me atë vendore, por me sistemin e drejtësisë në masen 98% dhe pjesa tjetër me kushtet e punës në sektorin privat. Në akuzat e ngritura për sistemin e drejtësisë mbizotëronte masivisht problemi i tjetërsimit të pronës, zvarritjeve me vite i çështjeve apo dhe mos-ekzekutimi i vendimeve.

702 PERCEPTIME: Grup komentesh që shprehnin një opinion pa iu referuar një përvoje konkrete personale, apo edhe thjesht të dëgjuar. Në këto perceptime 166 janë pozitive për këtë nisme dhe e mbështesin edhe në ato raste kur shprehet skepticizëm nëse kjo hapësirë për denoncime në FB do e zgjidhë situatën. 235 komentues perceptonin që praktikat negative ekzistojnë në përgjithësi në të gjitha nivelet e administratës ndërsa 301 të tjerë e shprehnin perceptimin e tyre duke vënë gishtin tek disa institucione si më të ‘spikaturat’ ku më shpesh përmenden Hipotekat, Aluzini, Shëndetësia, Arsimi, OSHEE, Policia, dhe Punësimi pa meritë në administratën publike.
343 SUGJERIME: Grup komentesh që nuk shprehin asnjë eksperiencë personale negative por ofrojnë mendimin e tyre lidhur me prioritetet e qeverisjes ku mbizotëron mbështetja për një reformë rrënjësore të administratës ku bashkë me rekrutimin e njerëzve të rinj, të aftë e profesionistë duhen të vendosen paralelisht mekanizma të fortë kontrolli dhe masa të rrepta ndëshkuese. Vendin e dytë e mbajnë sugjerimet për të vijuar me reformën e drejtësisë si e vetmja zgjidhje për të luftuar korrupsionin e për ti dhënë fund pandëshkueshmërisë së praktikave të këqia në të gjitha nivelet e qeverisjes. Një numër modest komentuesish, rreth 20, sugjeronin ofrimin e një platforme anonime për të denoncuar me emra e fakte konkrete.

713 EKSPERIENCA: Grup komentesh që sillnin një rast konkret përballjeje negative me administratën qendrore e vendore, në nivel personal dhe në nivel njohjeje të një rasti të tillë nga një i afërm apo i njohuri i tyre. Nga këto:
*Bashkitë – 111 raste denoncojnë praktika të keqia në nivel vendor ku vendin e parë e zë shërbimi jashtëzakonisht i dobët në sportelet e gjendjes civile, i ndjekur nga lejet abuzive për ndërtime dhe zvarritja e dosjeve për një leje ndërtimi
*Hipotekat – 98 raste të referuara për korrupsion, padrejtësi, abuzim me pronat, lëshimin e vërtetimeve dhe zvarritjet në dyert e ZRPP-ve
*Shendetesia -78 denoncime te korrupsionit te mjekeve, infermiereve, mungeses se medikamenteve dhe neglizhences apo keqtrajtimit ne dyert e spitaleve apo qendrave shendetesore
*Arsimi -58 raste te lidhura me nivelin e përgatitjes së mësuesve; pushime të padrejta nga puna; transferime abuzive dhe punësime pa meritë.
*ALUIZNI -54 raste që denoncojnë vonesa të qëllimshme të lejeve të legalizimeve; bashkëpunim të punonjësve të ALUIZNI-t me ata të ZRPP për tjetërsim pronash dhe trajtimi i aplikuesve në varësi të pagesës.
*Policia – 48 raste të gjobitjeve padrejtësisht, të komunikimit aspak etik me qytetarët dhe të mos-reagimit në kohë për t’iu ardhur në mbrojtje qytetarëve të gjendur në një rrezik të caktuar.
*KEMP – 44 raste denoncojnë abuzimet në miratimin e KEMP dhe peripecitë e mëdha që këta persona në vështirësi duhet të kalojnë për ta përfituar këtë mbështetje. Një numër i lartë komentuesisht tërheqin vëmendjen për procedurat duke e quajtur të tepërt që një person me invaliditet të pakthyeshëm duhet të paraqitet periodikisht para komisionit për të vijuar me përfitimin e KEMP.
*OSHEE – 41 raste të lidhura me mbifaturim, faturim aforfe apo neglizhencë në përkujdesin ndaj klientit.
181 rastet e tjera ndahen mes AKU, Doganave, Drejtorive të bujqësisë, Tatimeve, Postës, Burgjeve, Drejtorive të Transporteve dhe grupimit të akuzave për padrejtësi në punësim apo pushim nga puna.
Në të gjitha komentet e referuara në postim u numëruan 100 emra/poste konkrete zyrtarësh të përmendur si përgjegjës për ushtrimin e këtyre praktikave negative nga të cilat 70 i përkasin qeverisjes vendore e qendrore, ndërsa 30 sistemit të drejtësisë.
Qeverisja:
2. Toni, Shef sketori ALUIZNI
3. Flamur Gjuzi ALUIZNI Durres
4. Drejtori ALUIZNI Elbasan
5. Fatmir Ejupi Bashkia Durres
6. Kasem Canaj Bashkia Vlore
7. Fatmir Llanaj Bashkia Vlore
8. Xhevit Dermyshi DAR Gramsh
9. Ramadan Bici DAR Gramsh
10. Shyqyri Pole DAR Gramsh
11. Drejtori DAR Korce
12. Drejtoresha Metani DAR Tirana
13. Sokol Alia Dogana Durres
14. Ylber Karanxha Dogana Durres
15. Artan Sulejmani Dogana Durres
16. Lulezime Dogana Kakavije
17. E.H Dogana Koliposta Kinostudio
18. Andi Xhafa Dogana Tirane
19. Nue Marash Drejtor Bujqesie Kurbin
20. Ilirjan Muho Drejtor ZRPP
21. Lionel Elezaj Drejtoria Bujqesise Berat
22. Fatjon Fana Drejtoria e Burgjeve
23. Gaz Tahiri Drejtoria Pergjithshme Detare
24. Lindita Tako Drejtoria Verifikimi i Titujve te Pronesise Tirane
25. Perin Vogli DSHP Lushnje
26. Drita Lala DSHP Mat
27. Avni Sulaj Gjimnazi Tepelene
28. Ani Dermishi Hipoteka Durres
29. Sonila Stojko Hipoteka Elbasan
30. Rezart Elmazi Hipoteka Vlore
31. Artur Cela Inspektoriati Ndertimor Durres
32. Neritan Gjodeshi ish drejtor UKT
33. Arsen Sinamataj Ish shef i Policise Rrugore
34. Ilir Bajlozi ish-drejtor ISSH Korce
35. Astrit Hado ISSH
36. Resul Llogo Kelcyre
37. Mimoza Lezha KEMP komisioni Lezhe
38. Artan Doda KEMP komisioni Lezhe
39. Alfred Mullaraj Keshilli qarkut Durres
40. Marilda Hysa Komisariati nr 6 Tirane
41. Jonajda Doci Konvikti i Vajzave Elbasan
42. Kryeprokurori Korce
43. Drejtoresha e Shkolles Pojan Korce
44. Brunilda Gjordeni Lushnje
45. Vojo Bregu Ministria e Bujqesise
46. Josif Dena Mjek Berat
47. Roel Zoga Mjek Fier
48. Iliriana Agolli Mjeke Paskuqan
49. Mentor Petrela Neurokirurgjia
50. Drejtori Policia Bashkiake Tirane
51. Zv/Drejtori Policia Bashkiake Tirane
52. Mimoza Ibrahimi Policia e Shtetit
53. Drejtori siguracioneve Porti I Vlores
54. Flora Hoxha QSH njesia 7
55. Ardit Lame QSUT
56. Drejtori shkolles Shkolla “Halit Berzeshta” Perrenjas
57. Vjollca Jahaj Shkolla speciale “3 Dhjetori” Shkoder
58. Fabiola Haxhiaj Spitali Memaliaj
59. Ediola Braha Spitali Tepelene
60. Erjon Neurolog Spitali Vlore
61. Bruna Mersini Spitali Vlore
62. Marsid Hoxha Tatimet Gjirokaster
63. Leke Prela UK Koplik
64. Drejtori Juridik UKT
65. Drejtori I shitjeve UKT
66. Edlira Caca Urgjenca Memaliaj
67. Drejtoresha e Shkolles “Muco Delo” Vlore
68. Ermioni Cekani ZA Kamez
69. Astrit Dervishi ZVRPP Lushnje
70. Jaho Brahimin Zyra e Sigurimeve Shoqerore Gjirokaster
Sistemi i Drejtësisë
1. Altin Avdiu Gjykates
2. Tereza Lani Gjykates
3. Migena Laska Gjykates
4. Majlinda Demollari Avokate
5. Ardian Dauti Avokate
6. Artur Sulçe Ekspert ne Gjykate
7. Agim Bendo Gjykata e Apelit Tirane
8. Shkelqim Miri Gjykata e Apelit Tirane
9. Fatos Qato Gjykata e Apelit Tirane
10. Arben Vrioni Gjykata Elbasan
11. Gentiana Muco Gjykates
12. Rilinda Selimi Gjykates
13. Gilda Hoxha Gjykatese Bulqize
14. Majlinda Andrea Gjyqtare
15. Esmerilda Habil Gjyqtare Vlore
16. Napolon Vasha Noter
17. Luljeta Cenaj Notere
18. Shkelqim Gjoka Policia Gjyqesore Bulqize
19. Dritan Marku Prokuror
20. Arjan Ndoi Prokuror
21. Sokol Malaj Prokuror
22. Hysni Vata Prokuror Bulqize
23. Hektor Hushi Prokuror Elbasan
24. Tomorr Kullolli Prokuror Elbasan
25. Arjan Mucaj Prokuror Gjirokaster
26. Julian Zonja Prokuror Tirane
27. Aleks Hajdari Punet e Brendshme
28. Jorsida Dervishi Zyra permbarimore STAR
29. Alketa Tanushi Zyra permbarimore STAR
30. Ardenis Cullhaj Zyra permbarimore STAR

‘Beteja’ për Tiranën, PS pranon hapjen e kutive për të numëruar 65 votat e PDIU

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do te vendose sot nese PDIU do te marre mandatin e Shpetim Idrizi apo do ti takoje Partise Socialiste.

 

Ne nisjen e mbledhjes se perfaqesuesit e PDIU-se dhe PS-se kerkuan qe te shtohet numri i qendrave te votimit qe duhet te numerohen, pasi sipas tyre ka mosperputhje mes pamjeve filmike dhe shifrave ne tabelat e rezultateve.

Shpetim Idrizi, kreu i PDIU-se e ka humbur mandatin per 38 vota, nderkohe qe PDIU pretendon se asaj i mungojne te pakten 66 vota ne disa kuti votimi ne Qarkun e Tiranes.

DEBATI NE KQZ

Përfaqësuesi i PDIU: Ne kërkojmë që të shtojmë edhe 7 qendra të tjera votimi. Ndërkohë që heqim dorë nga hapja e kutive në katër kuti votimi. Ne vlerësojmë se PDIU-së i mungojnë 66 vota në Tiranë.

Përfaqësuesi i PS: Gjatë shqyrtimit të videove dolën fakte dhe prova të reja. Ne kërkojmë që të hapen kutitë edhe të 14 qendrave të tjera të votimit. Ne jemi të hapur për të hapur dhe lexuar cdo fletë votimi. Nuk mund të lejojmë për 65 fletë votimi të njollosim mbi 400 mijë zgjedhës. Po diskutojmë 65 fletë votimi në 2 milionë zgjedhës.

Sqarohet vendimi i Shqipërisë për çmimin referent të patateve të Kosovës

Dogana e Shqipërisë ka dalë me një sqarim në lidhje me çështjen e çmimit të patates nga Kosova që këtyre ditëve u bë pikë problematike.

Dogana shqiptare ka bërë të ditur se nuk do të ketë rritje të vlerësimit doganor për pataten, por ajo do të ndodhë vetëm atëherë kur operatori ekonomik nuk paraqet dokumentacionin e duhur në doganë.

Kjo i bie që Dogana e Kosovës i vërteton çmimin e patates doganës shqiptare, ku kjo e fundit nuk aplikon çmim të referencës.

Sipas tyre, legjislacioni doganor për vlerësimin doganor të mallrave ka parashikuar gjashtë metoda për vlerësimin e mallrave.

Dogana e Shqipërisë u ka kërkuar operatorëve ekonomikë në të dyja vendet për plotësimin e saktë dhe të duhur të dokumentacionit doganor në mënyrë që të mundësohet zbatimi sa më korrekt i procedurave doganore, që pa dyshim nxisin dhe tregun e lirë ndërmjet dy vendeve.

Pala kosovare kishte paralajmëruar masa reciprociteti nëse Shqipëria nuk heq çmimin referent.

Lubonja: Ja kush politikan do ta frenojë Ramën në mandatin e tij

Analisti Fatos Lubonja ka folur sot në rubrikën “Opinion” në News24 për situatën pas zgjedhore, pak ditë para betimit të Presidentit të Ri dhe zgjedhjeve në PD.

I pyetur për Presidentin e ri, nëse ai do jetë mbi palët, Lubonja tha se kjo është e pamundur, pasi nuk ka ndodhur asnjëherë në Shqipëri. Por ai tha se e vetmja shpresë që ka është se Meta do të arrijë të frenojë disi kryeministrin Edi Rama që ka gjithçka në dorë.

“Ne Shqipëri nuk ka pasur asnjëherë President mbi palët, por nën palët. Presidentët duket se kanë bërë marrëveshje të jenë nën një palë ose tre palët, pa fuqi. Meta ka ambicie të tjera, ka edhe inate. Mbi palët e ka shumë të vështirë të jetë. Ndoshta një President që do të frenojë sado pak autoritarizmin e Ramës që ka më shumë fushë veprimi sepse s’ka ndonjë frikë. Në këtë aspekt ndoshta mund të luajë ndonjë rol pozitiv”, deklaroi Lubonja.

Nga Pjetër Arbnori te… Gramoz Ruçi – Nga FRANO KULLI

Pjetër Arbnori dje ka mbushë përvjetorin e njëmbëdhjetë që është ndarë këso bote e është nisë për në amshim. Edhe pse rasti nuk ka çekë memorien e tallazitur zyrtare të shtetit shqiptar, një përkujtesë prej të cilit Ai do ta kishte gjithherë të meritueshme, si njëri prej njerëzve par excellence të tij, Pjetër Arbnori do të rrojë gjatë në kujtesën e shumë e shumë shqiptarëve, brenda dhe jashtë Shqipërisë së rendit të ri post-regjim. Nuk u përkujtua as prej demokratëve zyrtarë të Shqipërisë (!) dhe “mëkati” këtu peshon edhe më rëndë…

Megjithatë, Pjetër Arbnori do të mbahet mend gjatë për rivendikimin që u përpoq t’i bënte parlamentarizmit shqiptar, zanafilla e denjësishme e të cilit është viti 1921 i shekullit të shkuar, ndonëse përvoja e tij qe, jo më e gjatë se njëzetvjeçare. Me respekt e veneracion për pararendësit dhe nën shëmbëlltyrën e tyre, jo vetëm të Luigj Gurakuqit që e pati modelin e vet, por edhe të tjerëve burra të përndritshëm, Eshref Frashëri, At’Gjergj Fishta, Koço Tasi, Ali Këlcyra, Qazim Kokoshi, Maliq Bushati, Mustafa Kruja, etj., etj.

I ardhur nga skëterra e regjimit të dhunës, i rikthyer nga fundi i ferrit në tavolinën e spikerit të Parlamentit, Ai nuk rrezatoi për asnjë minutë urrejtjen , që cilido njerí prej mishi e gjaku, i cili do të kishte kaluar kalvarin e tij të mundimeve për 10 300 ditë e net nëpër burgjet e regjimit komunist ku burgoseshin…idetë, nuk do të mund ta fshihte. Pjetër Arbnori nuk u përzje e nuk u bë për asnjë çast pjesë e teatrit të “çakejve”, të cilët aty në aulën e Parlamentit bënin se ziheshin e capërloheshin, duke krijuar një trandje e dási të hatashme në psikikën e popullit aspirues për demokraci, ndërsa më pas, më vonë kur katrahura kish ngjarë e po bëhej ritual i trishtë, do të na thoshin se…” kjo ishte loja”.

Madje, akoma më rrezikshëm, duke mbjellë farën e keqe të mendimit se “politika kështu e ka”… Sot kur Pjetri i mirë është në mbretërinë e qiellit dhe kur rendi i ri po përmbyll dekadën e tij të tretë, spikeri i Parlamentit të ri do të jetë… Zoti Gramoz Ruçi. Po, po. Pa asnjë mëdyshje, zoti Gramoz Ruçi është caktuar kryetar i Kuvendit të Shqipërisë. Mbetet për t’u bërë vetëm akti formal, në ditën kur do të mblidhet Sesioni i ri.

Sigurinë për këtë e dha kumti i zotit Edi Rama, Kryeministri ynë edhe në vijim, i cili përtej kujdesit të veçantë që i kushton aktit të vet ligjërimor, fushë në të cilën ai është i gjithëpranuar si mjeshtër (pavarësisht cinizmit ekstrem, të cilin, besoj se ia forcon karrigia e rëndë e Kryeministrit) e dha në formë të prerë, fikse. Për mua qind për qind po- tha, ku edhe përemri vetor mua, veç sa ngjyros stilistikisht ligjërimin… Ai e dha me krenari kumtin e vet, pa e ndjerë aspak të nevojshme ta përlyejë me një dozë të lehtë justifikuese.

Ai nuk u kujdes aspak të mjeshtronte, që diku mes rreshtave të kumtit të vet të lexohej njëlloj detyrimi që ai ka për ta bërë këtë dhe jo ndonjë dëshirë të madhe…Por jo. Këtë nuk e ndjeu aspak të nevojshme ta bëjë. Së paku nuk e shfaqi sado lehtas këtë ndjesi. Po, pse ta ndjejë xhanëm?! Zoti Gramoz Ruçi ka domenin e vet në politikën shqiptare, asnjëherë të lëkundur prej më se tridhjetë vjetësh. Pa ndonjë kualifikim a cilësi të veçantë, përveçse “punëtor i devotshëm partie”. Historikisht i tillë. Krejt ndryshe prej të gjithë pararendësve të vet në atë post.

Ai është ndërlidhja e pandërprerë e dy sistemeve politike, në thelb të kundërta prej njëri -tjetrit. Përderisa i dyti u instalua pasi u përmbys i pari. Sipas statistikave të një Instituti të Studimeve Politike që merret me parlamentarizmin në Shqipëri, zoti Gramoz Ruçi rezulton të jetë deputeti më jetëgjatë në Shqipërinë e mbasdiktaturës. Plot 8 herë deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Pa bërë më së paku as një mea culpa për mëkatet e regjimit të shkuar. Dhe s’ka pasë se si ta bëjë përderisa… s’ia ka kërkuar kush. Asnjëherë seriozisht s’ia kanë kërkuar.(Për ta bërë vetishëm duhet shumë më shumë njerzí e cipë…) Dhe ai nuk ka qenë një “burmë” dosido i atij mekanizmi të diktaturës. Po ka qenë ministër i ministrisë së dhunës.

Që aty i votuar prej nostalgjikëve të regjimit të shkuar dhe jo veç prej tyre, ai s’ka pasë arsye të qenësishme për ta lëshuar karrigen e tij në atë aulë. Madje, në të shumtën e kohës, karrigen e kreut të grupit të krahut të tij. Dhe prej kësaj të fundit, një hap e ndan nga karrigia e spikerit të Parlamentit. Pra Gramoz Ruçi, tash e masandej do të jetë kreu i Parlamentit të Shqipërisë… Kjo është trajektorja, që ka përshkuar parlamentarizmi në Shqipëri. Nga Pjetër Arbnori te…Gramoz Ruçi.

 

Delegacioni i PLL vizitë dhe takim në Uashington DC për të përkujtuar viktimat e komunizmit

 

Me ftese te fondacionit perkujtimor per Viktimat e Komunizmit me qender ne Ushington DC. SHBA dhe shoqeruar nga shqiptaro-amerikani i mirenjohur në komunitet, Z.Cezar Ndreu, Z. Beniamin Bakalli, kryetar i deges se Partise Levizja e Legalitetit per degen e Tiranes u takua me Z. Marion Smith , drejtori ekzekutiv i Fondacionit dhe me Dr. Murray Besset nga departamenti i edukimit te fondacionit.

Ne takim, i cili zgjati per me shume se nentedhjete minuta, Z. Smith shprehu simpatine e tij per Shqiperine, per vuajtjet e kombit nga komunizmi, tregoi per punen qe bejne si fondacion dhe ftoi miqte te ndanin eksperiencat dhe njohurite e tyre nga jeta nen komunizem ne Shqiperi. Z.Bakalli pasi falenderoi zoterinjte mikprites per takimin dhe per punen e tyre shume domethenese , foli ne vecanti per historine e familjes se tij gjate periudhes se komunizmit, tregoi se familjaret dhe të afërmit e tij mbajne mbi supe mbi 100 vite burgim ne burgjet famekeqe te Spacit, Burrelit,Qaf Barit, Ballshit dhe Sarandes per aktivitetin dhe perpjekjet e tij per zbardhjen e se vertetes kombetare shqiptare dhe ndau me zoterinjte amerikane disa nga punet e tij permes faqeve te tij informuese Gjenocidi Komunist Ne Shqiperi dhe Krimet e Komunizmit si dhe per leksionet qe ai ben ne institucionet edukuese ne Shqiperi ne menyre qe brezi i ri te mesoje te verteten.

Z. Cezar Ndreu gjithashtu perzemersisht falenderoi mikpritesit dhe i pergezoi ata per punen e madhe edukative dhe fruthdhenese lidhur me te vertetat e komunizmit dhe frutet famekeqe te kesaj ideologjie dhe pastaj ndau disa episode nga historia e familjes se tij por edhe beri nje pasqyre te pergjithshme te historise se kombit shqiptar gjate periudhes se eger te komunizmit. Z. Smith , tregoi interest e vecante per rrefimet ngjethese qe u paraqiten dhe ftoi gjithe ata persona, permes ketyrve vizitoreve, qe kane deshmi personale ti ndajne me kete organizate. Z. Smith theksoi se punet e fondacionit jane te fokusuara ne edukimin e brezit te ri, tregimin e se vertetes lidhur me ideologjine skllaveruese e shkaterruese sic eshte komunizmi qe ehste perjetuar ne vendet e lindjes dhe sidomos ne Shqiperi dhe premtoi se do vazhdoje komunikimin me shqiptaret dhe shprehu mirenjohje e falenderime per viziten. Ne takim merrte pjese edhe Merita B. McCormack , autore dhe aktiviste shqiptaro –amerikane ne zonen e Uashingtonit si dhe Mariza Smajlaj asistante egzekutive e Fondacionit.

Korrespondenti i Diellit

Preç Zogaj: Komisionerë të PD-së janë përfshirë në shit-blerjen e votave

Preç Zogaj i ftuar në emisionin ‘Debati’, tek gazetari Roland Qafoku, është shprehur se edhe komisionarë te opozitës janë kompromentuar dhe kanë pasur rolin e tyre në shit-blerjen e votës.

“Marrëveshja Rama-Basha ka dështuar për shitblerje e votës dhe për dhunën.

Komisionerë të blerë që mund të jenë dhe të opozitës apo dhe të Partisë Demokratike, kanë ndihmuar në blerjen e votës apo dhe te sekuestrimi i kartave.

Ben Blushi me zbulimet e veta po akuzon Partinë Socialiste, dhe komisionerë të opozitës, pasi janë kompromentuar. Pa dyshim Edi Rama dhe Ilir Meta që kanë lejuar blerjen e votës kanë përgjegjësi të madhe.

Unë në çdo komision që do të ngrihet unë do ti jap me emra dhe do të provoj që janë blerë votat”, tha Zogaj.

I pyetur nese ai kishte besim tek Basha, Zogaj u shpreh se “unë i besoj sepse besoj se Basha është gjithashtu në kërkim të rezultati dhe po reflekton jo vetëm tek shit-blerja e votes por dhe tek gabimet e veta. Demokracia të jep më shumë se një shans, dhe ndonjëherë humbet janë për të nxjerrë një mësim.

Ky nuk është rezultati real. Unë mendoj se me zgjedhje të lira dhe të ndershme PD-ja do të shkonte në 60 deputetë. Të gjithë këta deputetë kanë humbur nëpër skenarë dhe janë disa skenarë që janë këtu. Janë disa momente dobësia që kanë prodhuar këtë rezultat negativ”, tha Zogaj.


Send this to a friend