VOAL

VOAL

PRITJE – Poezi nga THANI NAQO

December 30, 2017
blank

Komentet

blank

TRIPTIK-LIRIK- Poezi nga THANI NAQO



UNË DHE LUKRECI 1)

Sa herë takohem me të lashtin Lukrec,
“Atdheu im,-thotë,- është ku jetohet më mirë.”
Njëmijë pandehma për ty, o poet,
I lëshon këto fjalë se je i pirë!

Unë s’jam i pirë,
të ftohur kam kokën,
I verbër qofsha e çaj oqeanin.
Hej!
Kombi im ka hartëzuar botën,
Varret e tij dallgëzojnë Ballkanin!

Mbushim gotat.
Me Lukrecin po pi,
Në e teprofshim, flasim nga dëshira.
Ajo gishtëz tokë bën grurë e raki…
Ngrehim velat dhe fryn erëmira!

1) Lukreci= ( Titus Lucretius Carus) poet roman, fundi shek. IVfillim
i shek. V

OQEANI
 
…E prek, i flas,
e lutje i pëshpëris,
I tregoj për Moravën,
m’i bukuri në botë.
Malësor isha dikur e atë mal kisha mik,
Male s’shoh gjëkund e miku im bëhu sot…

Është e kotë të flasësh me dallgët,
Duf’i tyre bregun godet.
Unë mbyll sytë…
Shoh Moravën e largët,
Nën dëborë gjumash,
i freskët nën gjeth.

Hapësira ovale shtrihet mbi oqean,
S’ka përrenj,
as lumë sheh.
Shpina ujore,
si Ivan, 1)
Vec dallgëve,
o mik,
s’u vë dot fre!
1) Ivani= mal në Devoll

* * *
Zhytur jam në jeshil livadhi,
Aromë lulesh dhe freski ahu.
Poleni më pudroi,
me spërka nektari,
Nën tumbë fierishtash mbeta tulatur.

Pop-pop,
pop- pop,
reh shputat pas truallit,
Lepuri i egër syvëngërosh.
Le të më shtypin orteqet e mallit,
pop-pop,
hop-hop,
pop-pop!

Mbi krye kam qiell të gjelbër,
Ndihem perandor i botës me klorofil.
Këtu s’ka komunistë të më shohin vëngër,
Me brirët e turpshëm më këqyr një kërmill.

Ç’ë se bie shi,
ç’ë se bie breshër,
E ç’ë se shtron dëbora e bën kallkan?
Me dhe i mbulon vezët një hardhucë e një breshkë,
Më spërkati,
bre, breshka,
me shurrën e bardhë!…

S’ shoh presidentë,
as kryeministra,
As parlamentarë,
as buzëqeshje djallëzore.
Gushëkuqët vocërrakë thurin kanistra,
Vargan’ i milingonave zënë për dore.

Pop-pop,
pop-pop.
reh shputat pas truallit,
Lepuri i egër syvëngërosh.
Le të më shtypin orteqet e mallit,
hop-hop,
pop-pop,
hop-hop!
blank

Shpirti im është zgjuar – Poezi nga ANNE BRONTË- Përktheu Skënder Buçpapaj

Shpirti im është zgjuar, fryma ime po fluturon,

dhe po mbartet lart mbi krahët e flladit të freskët;

Sepse, mbi mua, rreth meje, era e egër po zhurmon

duke marrë vrull për të dalldisur tokën dhe detet.

 

Bari i tharë një kohë të gjatë në diell po vështron,

pemët e zhveshura i ngrenë lart degët kuturu;

gjethet e vdekura poshtë tyre vallëzojnë me gëzim,

retë e bardha po tunden përtej qiellit blu.

 

Do të doja të shikoja sot oqeanin si përplas aq furishëm

shkumën e dallgëve të tij në shtjellat e harlisjes,

do të doja të shikoja valët krenare si vërtiten

dhe të dëgjoja zhurmën e egër të bubullimës së tyre!

blank

“Të lidhur me zinxhirë, më çuan te qelia ku mbanin ata që do të pushkatoheshin. Si shpëtova pas letrës që i bëra Koci Xoxes”/ Kujtimet e Petro Markos

Petro Marko

Rrëfimet e shkrimtarit të njohur Petro Marko, ish-luftëtari i Brigadave Internacionaliste në Luftën e Spanjës dhe i Tiranës, tregon prapaskenat e asaj që njihet si Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe pse Koçi Xoxe urrente Enver Hoxhën?! Porosia e Sejfulla Maleshovës: “Kjo është parti terroriste, mos hap gojën, se do e pësosh…”! Përse u dënua Petro Marko dhe kush ishin ata që i’a përgatitën arrestimin dhe kush e ndihmoi pas daljes nga burgu, etj. Pjesë të zgjedhura nga libri “Intervistë me vetveten”, i shkrimtarit të njohur shqiptar Petro Marko, i botuar në fillim të viteve ’90-të pas shëmbjes së regjimit komunist, libër i cili pati një jehonë të madhe në shtypin e kohës, pasi u botua dhe ribotua disa herë, duke shënuar një rekord shitjesh.

NISI KALVARI-

 

U hap dera. Hyri brenda një polie trupmadh dhe i bërtiti Zuberit:

– Ç’punë bën ti?

– Gjeolog! – u përgjigja unë.

– Mbylle gojën ti, se s’të pyeti njeri!

 

– Gjeologu, zbulon pasuritë e nëntokës! – u përgjigj i frikësuar Zuberi, se e vuri re shprehjen e kriminelit. Roja i këputi me sa fuqi që pati, një shkelm prapa veshit, duke i thënë:

 

– Tani shko e zbulo pasuritë e nëntokës. – Mbylli derën dhe u largua. Kisha mbyllur sytë dhe çudi, se si nuk më pushoi zemra?! Me frikë, hapa sytë dhe pashë Zuberin të shtrirë, me duar e me këmbë të hapura dhe me një curril gjaku, që i buronte nga goja. Bëra të lëvizja, t’i vija në ndihmë, por isha i varur në dritare. M’u errën sytë. M’u err mendja. Desha të bërtisja, që të më dëgjonte gjithë bota: Krim! Krim universal! Zuberin e vranë! Vranë kulturën, vranë shkencën, vranë jetën.

 

U hap përsëri dera. Hyri ai polici që e goditi, bashkë me dy të tjerë. E panë.

– Ngordhi qeni! – tha ai që e goditi. E kapën nga këmbët, e hoqën zvarrë, e nxorën jashtë dhe mbyllën derën, duke më lënë mua në birucë, fantazmën gjakatare të kohës që vuloste turpin e këtij shekulli.

Si është jeta! Unë isha kredhur në hapësirën e llahtarës, kur dëgjova përballë birucës sime, këtë bisedë:

– Ti je bej nga Vlora, ë?

– C’est vrai – është e vërtetë, unë bej jam…!

– Gjakpirës! Parole d ’honeur

– fjalë nderi, unë gjak s’kam pirë kurrë, po shampanjë kam pirë gjithnjë… shampanjë kordorirouge…

Dëgjova thirrje. Rojat e morën, e zvarritën gjer te kazani me ujëra të ndyra, e krodhën brenda kokëposhtë e talleshin:

– Pi, pi shampanjë kordon-shurrë!

(Parantezë e finales së tragjedisë: “Ha në atë botë”!)

Te porta e oborrit të burgut, çdo drekë bëhej një radhë e gjatë e grave, e nuseve, e bijave të të burgosurve: mbanin sefertasët në dorë, sillnin drekën. Sefertasët i radhitnin aty dhe disa oficerë, sikur parakalonin, lexonin emrin e te burgosurit. Kur panë një sefertas me emrin Uan Filipi, i ranë me shkelm, gjella u derdh dhe sefertasi rrokullisej bosh.

Oficeri iu tha: “Qërohuni dhe të mos vini më, se ai e mori plumbin që meritonte”! Eëra dhe e motra e Uanit, pa bërë gëk, shtrënguan njëra-tjetrën dhe nisën rrugën e kthimit për në shtëpi, duke ecur rrugës që merrte të përpjetën…! Po t’i shikoje ato të dyja, dukej sikur vaiseshin si varka në furtunë, duke bërë zigzaget e terrorit, pikëllimit dhe vdekjes! Një skenë që besoj se, në asnjë ekran të botës, nuk është shfaqur.

Pyetje: – Po ti nga e pe këtë skenë?

Përgjigje: – Kur u lirova, Safoja ime më tregonte… më tregonte me pikëllim kalvarin e saj dhe të familjeve të tjera të të burgosurve…! (Të zezat nëna, të mjerat gra… ç’u kanë parë sytë dhe si kanë mbijetuar nga helmi që kanë pirë.)

Gjatë burgimit tim trevjeçar, në izolim të thellë, vetëm Safoja kishte të drejtë, të më sillte te dera e burgut sefertasin me pak gjellë, pa më takuar kurrë. Tre vjet.

Pyetje: A të ka ndodhur të humbësh shpresën për të jetuar?

Përgjigje: – Një pasdreke erdhi drejtori i burgut me hetuesin tim kryesor dhe më hoqën zinxhirët. Dallgët e mundimeve, janë aq të furishme, sa nuk kuptohet se nga i shtyn era: ndaj jetës apo ndaj vdekjes. Më shpunë te biruca e fundit përballë nevojtoreve. E dija që ajo birucë, ishte për ata që do të pushkatoheshin. Më futën brenda, më lidhën përsëri këmbë e duar dhe dolën. Aty ishin tre të tjerë, të cilëve, nuk ua dalloja dot fytyrat. Ata ishin të sigurt, se do të pushkatoheshin. Nuk folën për disa minuta, pastaj dëgjova një zë:

– Pse, je dënuar me vdekje!

– Si agjent i amerikanëve! Po ju?

– Ne? – heshti ca. – Unë…?!

Dhe tregoi se si ai, kishte folur me një mik të tij për Enver Hoxhën, por në gjyq, nuk i nxorën këtë akuzë, i thanë “agjent i shitur!”

– Unë e di mire, se jam dënuar për ato që fola për Enver Hoxhën. – Dhe vazhdoi: – Me sa di unë, gjer tani janë pushkatuar dymbëdhjetë veta…! Kushedi sa të tjerë, do të pushkatohen?! Këta të dy, janë dënuar me vdekje, se kanë djegur flamurin e Jugosllavisë, që varej nga e djathta e flamurit tone, në Ministrinë e Mbrojtjes Kombëtare. E kishin pranuar fajin e tyre dhe thanë në sallë të gjyqit, se nuk ishin penduar fare, për aktin që kishin bërë, pasi Jugosllavia, sundon këtu dhe jo qeveria e Tiranës.

Dëgjoja fjalë e psherëtima të njerëzve që prisnin me çaste të pushkatoheshin. Shumë më their, thënia e njërit (fytyrat nuk shiheshin, ishin në errësirë):

– Nuk u vrava në luftë nga fashistët dhe nga nazistët, dy vjet në mal, po vritem nga plumbi i shokëve të mi!

U dëgjua një fëshfërimë, në dritaren e vogël.

Ishin krahët e një shpendi, ndoshta një lakuriq nate…!

– Do të na vrasin, erdhi lajmi! – tha njëri.

Unë pyeta se nga erdhi lajmi. Në atë birucë, të të dënuarve me vdekje, kishte mbetur një profetizim: kur vjen ai zogu i natës dhe rreh krahët në hekurat e dritares, sa një faqe libri, vijnë xhelatët dhe marrin viktimat, për te bregu i lumit, për te vendi i ekzekutimeve…!

Dhe me të vërtetë, aty nga ora dhjetë e mëngjesit, u hap dera e birucës dhe thirrën atë që kishte folur keq për Enverin dhe ata të dy që kishin djegur flamurin e Jugosllavisë.

– Takohemi në atë botë, në mos pastë edhe atje ndonjë Enver tjetër, që të na përvëlojë në kazanët e skëterrës…!

KTHESA E ÇUDITSHME…!

Në darkë më thirrën lart në drejtori. Aty ishte Nesti Kerenxhi, zëvendësministër i Punëve të Brendshme. Më foli butë. Më pyeti dhe iu përgjigja:

– Unë flas vetëm me Koçi Xoxen!

– Koçi Xoxe, nuk mund të vijë këtu!

– Më shpini mua tek ai. Vetëm me atë do të flas.

– Kërkon gjëra që nuk bëhen.

– Po një letër a mund t’i shkruaj?

Unë e njihja Nestin. E njihja mirë dhe ai më njihte mirë. U mendua dhe më tha:

– Shkruaj e letrën.

Më dhanë një copë letër e një stilograf dhe shkrova:

“Koçi! Nëse të ka mbetur ndonjë fije shoqërie nga e kaluara jonë, të lutem për dy gjëra:

  1. Jep urdhër të më pushkatojnë sa më parë, se nuk i duroj dot fyerjet e rënda dhe torturât çnjerëzore.
  2. “Pse?”

E lexoi Nesti dhe më tha:

– Pse, nuk e dije ti, organizatën e fshehtë të deputetëve? – Atëherë unë i thashë se; me të vërtetë, as që e kisha dëgjuar kurrë këtë organizatë. E mori letrën.

Mua më shpunë në një birucë tjetër, përballë me atë të Hasan Reçit. Në atë krah, ishin me radhë dhe biruca me shokët: Spiro Ruço, Spiro Dhima, Uan Filipi, Islam Radovicka, Sinan Gjoni, Kolë Berisha…!

Më lidhën këmbët dhe duart pas dhe u shtriva në dysheme i trullosur dhe i handakosur. Mendoja e thosha: Sa i fortë është njeriu! Besoja se kafsha më e fortë e universit, ishte njeriu normal.

Siç dukej, lart ishte ende Nesti Kerenxhi, prandaj me radhë i merrnin këta shokë dhe i shpinin në drejtori. Kjo punë vazhdoi dhe të nesërmen: shokët merreshin në pyetje nga Nesti. Të pasnesërmen, më thirrën lart përsëri. Në drejtori, ishte vetëm drejtori dhe Nesti Kerenxhi.

– Letrën ia dorëzova Koçit…, – më pa me sy njeriu, – dhe më tha: “i thuaj Petros, të flerë rehat…”! Më kuptove?

Kur dola, më dha dorën. Dhe, kur u mbyll dera, ndërsa mua m’u këputën gjunjët nga një ndjesi e papritur, dëgjova zërin e Nestit, t’i thoshte drejtorit:

– Në birucën e Petro Markos, të mos futet asnjë oficer ose hetues, pa lejen e Koçit. Ushqimet që i bien nga shtëpia, t’ia dorëzoni të paprekura, edhe cigaret…! Më urdhëroi Koçi…!

Zbrita shkallët me nge. Dëgjova zërin e Hasan Reçit, që ishte në birucën kundruall, birucës sime:

– Petro, në dalsh i gjallë, kujdesohu për vajzën time. Shtatë muajsh është…!

Dhe, atë agim, mandata erdhi…! Hasan Reçi, Uan Filipi, Spiro Ruço, Sinan Gjoni, Islam Radovicka, Kolë Berisha – më duket tetë veta – i morën dhe i drejtuan për te bregu i lumit, ku i pushkatuan…

Jam plotësisht i bindur se, jetën e kam nga Koçi Xoxe.

Unë komunikoja me Safon, me anën e një shkrimi të hollë, gati të padukshëm, të bërë me majën e gjilpërës, në rrethin e kapakut të sefertasit, prej alumini. Me pak fjalë, ne kishim zbuluar një komunikim sekret, origjinal. Shkurt, bëja të ditur gjendjen time. Ajo pyeste. Kur shokët e mi u pushkatuan, i shkrova: “Shpëtova”!

Kurse para dy ditësh, kur erdhi Kerenxhi dhe më tha se; Koçi e kishte porositur “të flija rehat, të më jepnin ushqimet pa i prekur dhe të mos hynte njeri në birucën time pa urdhrin e Koçit”, i kisha shkruar Safos, në rrethin e kapakut të sefertasit: “Më duket se shpëtova”! Tani që me të vërtetë nuk u pushkatova si të tjerët, përsëri i shkrova: “Shpëtova për ty… që je munduar më shumë se unë!”

Pyetje: – Pastaj ç’ndodhi?

Përgjigje: – Erdhën në birucë, më hoqën hekurat e këmbëve dhe më nxorën në korridor, ku ishin edhe shumë të burgosur të tjerë. Na lidhën dy e nga dy. Mua më lidhën me Tika Tezhën, i cili, duke buzëqeshur hidhur, më tha: “Edhe ti këtu? – Pastaj, kur na shtrënguan fort duart, shtoi me të qeshur: – Aq je bërë i pandjeshëm, sa nuk lëshove asnjë psherëtimë. Mua m’u thye kocka, nga shtrëngimi i zinxhirit”!

Ishim shumë: Të gjithë si skelete. Na nxorën përjashta. Ku po na shpinin? Nuk flisnim dot, se na dhanë urdhër të prerë: “Po hapi gojën njeri, do t’ia presim gjuhën”! Tika më shikonte dhe ngrinte supet. Tika, ishte një shok që e njihja mirë: pasanik i madh, që kishte ndihmuar shumë luftën me të holla dhe duke transportuar të plagosur partizanë dhe armë, se kishte makinën e tij. E kuptuam. Po na çonin te Burgu i Vjetër. Dhe me të vërtetë, në Burgun e Vjètër na shpunë, në katin e sipërm. Na futën në një kaush të madh, ku ishin edhe të tjerë…!

JETA NË BURGUN E VJETËR

Dy gëzime të mëdha:

  1. Ardhja në burgun e vjetër, pa zinxhirë, me shokë, me libra.
  2. Gëzimi tjetër i madh: U ndalën ekzekutimet, me një vendim të Plenumit…! Kështu që, shumë shokë që prisnin ekzekutimin, si ing. Andrea Xega e të tjerë, shpëtuan nga vdekja.

Na vunë në një kaush, pranë ish-spitalit, që tani ishte bërë si zyrë e përkthimeve. Aty u takova me shokët e mi të vjetër, si me; Demir Godellin, Koço Boshnjakun, Hito Sadikun, Nexhmi Ballkën, e shumë e shumë të tjerë, që kishin shpëtuar nga vdekja. Këtu pashë pas shumë kohe, njerëz që mund të qeshnin, që bënin shaka, që lexonin libra, që përkthenin nga letërsia botërore, për institucionet letrare qeveritare. Për mua dhe për të gjithë ata që erdhën nga ferri i Burgut të Ri, ky ishte gjysmë-lirim.

Erdhi Stefo Grabocka, nga Ministria e Brendshme dhe më takoi. Më tha: “Kur u kthye Koçi Xoxja nga Korça, u habit se si ti ishe arrestuar, mblodhi nënministrat dhe i pyeti: “Kush dha urdhër të arrestohet Petro Marko”? Dhe njëri nga ata i tha: “Urdhër nga lart…”!

Për të burgosurit, kishte dy opinione:

Njëri opinion: Si është e mundur që Petro Marko, të jetë këtu?! (Kështu u shpreh dhe ministri i Mbrojtjes, Beqir Balluku, kur erdhi për të vizituar burgun. Kur më pa mua, tha: “Shikoni bre, se cilin kanë arrestuar! Luftëtarin e Spanjës…”?!)

Opinioni tjetër: Ata që e dinin mirë çështjen, thoshin: “Si ka shpëtuar ky nga pushkatimi”?!

Në këtë mjedis të ri mes njerëzve, mora vesh se ishte bërë edhe Gjyqi i Deputetëve dhe ishin arrestuar e pushkatuar, tërë miqtë e mi, me të cilët isha shoqëruar e kisha shkëmbyer mendime, para arrestimit tim. Deputeti Shefqet Beja, ishte varur në fushën e druve. Selaudin Toto, Enver Sazani, Gjergj Kokoshi e, plot të tjerë, ishin pushkatuar. Ata shpresonin që në Shqipëri, të vendosej demokracia. Për mua, ishte një goditje shumë e rëndë.

Unë u mblodha me Demir Godeliin dhe Koço Boshnjakun; me ata rrija pranë e pranë dhe me ata haja bukën, që na e sillnin nga shtëpia. Koço Boshnjaku, kishte qenë në KONARE, pastaj shkoi në Bashkimin Sovjetik, ku më duket ishte edhe si Konsull i Shqipërisë. Më duket se ishte përpjekur, të dërgonte në Durrës dhe disa anije sovjetike me grurë, kishte bashkëpunuar dhe me Kostë Kolombon, që kishte një furrë në Odesë. Ky Kostë Kolomboja, kishte ardhur edhe në Spanjë.

Thonë se, kur gjermanët pushtuan Odesën, i shkruante një miku në Shqipëri, nga Parisi, ku jetonte: “Do të shkoj në Odesë, se ndoshta gjej furrën time, tani që s’ka më bolshevikë”! I ziu Kostë! Shpresonte se, pas kaq kohe dhe ndryshimesh në Rusi, do të gjente furrën e tij në Odesë…!? Për këtë Kostë, Koço Boshnjaku, na tregonte shumë qyfyre dhe habitej se si kishte ardhur edhe ai vullnetar në Spanjë! Demirin, e kisha njohur qysh nga viti 1932 dhe mund të them se; ai ishte mësuesi i parë i komunizmit në Shqipëri. Tregonte edhe shumë anekdota, për Fan Nolin në Berlin dhe për mënyrën, si e bënte propagandën komunizmi, me Stalinin në krye. Po tregoj diçka për të qeshur:

Në Hamburg, festohej 1 Maji, punëtorët kremtonin festën e tyre; ishin mbledhur në një teatër dhe flisnin me radhë, shokë nga shumë kombësi. Dy gjermanë, shkuan në një vapor kinez. I thanë një marinari kinez: “Eja me ne dhe për një orë, do të të japim pesë dollarë”! Marinari kinez, u tha se; për një orë, do të nisej vapori i tij. Ata i thanë: “Për gjysmë ore të duam”. E çuan në teatër, ku bëhej mbledhja e punëtorëve, dhe ata që drejtonin mbledhjen, thanë se; ky ishte përfaqësuesi i klasës punëtore kineze.

Kinezi qeshte dhe thoshte: “Aman, se mos më ikë vapori”! – në gjuhën e tij dhe ata që ishin në tribunë, “përkthenin”: “Thotë se; sjell përshëndetjet e klasës punëtore shumëmilionëshe”! Duartrokitje, dhe, në mes të duartrokitjeve, kinezi iku me vrap, se mos e linte vapori, që për pak do të nisej…!

Demiri, na tregoi përsëri atë historinë në Moskë, për ditën e 1 Majit, kur e morën për të folur në një tribune, para punëtorëve të një uzine dhe përkthyesi, i cili nuk dinte as edhe një fjalë shqip, bënte sikur i përkthente, ato që thoshte Demiri, dhe masa duartrokiste stuhishëm.

Pas fjalimit, mes duartrokitjeve dhe shtrëngimeve të duarve, atij i ishte afruar një zonjë, e cila dukej që nuk bënte pjesë në atë turmë punëtorësh, dhe i ishte drejtuar frëngjisht: “Hapni sytë dhe shikoni si na ka katandisur ky sistem çnjerëzor! Pse bën sehir Evropa? Apo, dhe ajo prêt këtë “parajsë të kuqe e të përgjakur”?! Demiri ishte tronditur. Por ata që kishte pranë, e tërhoqën dhe i thanë se ajo, ishte një agjente borgjeze.

– Ne ishim qorra! Nuk shihnim ç’bëhej! – tha Koçoja.

Dhe bisedonim shtruar. Koçoja ishte më elokuent dhe më me përvojë:

– Që nga Adriatiku e gjer tek Oqeani Paqësor, më shumë se një miliard njerëz, besuan te komunizmi dhe tani, nën regjimin e kuq, sa miliona vuajnë e vdesin si ne! Katastrofë! Vetëm Stalini, siç thonë, ka zhdukur me miliona. Këtu te ne, në krahasim me popullatën, janë zhdukur e persekutuar edhe më shumë. Pse? Ka arsyet e veta.

Ky sistem këtu, nuk ka asgjë të përbashkët në themel, me idealin tonë. Ky sistem, po zbatohet sipas direktivave të agjentëve serbë, armiq shekullorë të Shqipërisë, Rankoviç, Miladin, Dushan e të tjerë, të cilëve kështu u intereson, ta shohin këtë vend. U mbush bregu i lumit me kufomat e intelektualëve. Qarkullojnë fjalë se, listat për arrestime dhe asgjësime, vijnë nga Beogradi”!

Përditë, bënim biseda me zë të ulët, në qoshen e korridorit të gjerë të katit të dytë të burgut, përballë zyrës së përkthimeve. Edhe Koçoja, përkthente nga rusishtja. Tekstet vinin nga Ministria e Arsimit. Aty përkthente dhe Mirash Ivanaj, nga latinishtja ose, greqishtja e vjetër, aty përkthenin dhe Dhimitër Pasko, Gjergj Bubani, e shumë të tjerë. Memorie.al

                                         Vijon

blank

MOTRA- Poezi nga HAMIT ALIAJ

 

Motra ime është me fat, s’ka parë kurrë të keqe në mua
Mos ia vini re nënës, e ka nga pleqëria,
Mua askush s’më ka trazuar, kurrë, asnjëherë,
As hafijet e katundit, as botuesit e mi,
Motra ime eshtë me fat, s’jam bërë lot në syrin e saj,
Unë dhe zotat i kemi folur njeri- tjetrit me “ti”
Asnjë varg s’m’u ka cenzuruar, s’më kanë përgjuar kurrë,
As në dashuritë e mia, as në udhëtimet jashtë shtetit,
Atë e kam çuar për pushime në Vlorë, Zvicër, Çanakala, Trojë,
Muzeumeve e kan’ çuar, vetë jam bërë ciceron
I kam shpjeguar kohë të largëta, shtete në unazë,
Kohë që iu kanë falur lopës si perëndisë, kohë,
Që brirët e dhisë i patën të vetmet antena të lidhjes me botën
Motra ime ka qeshur, kanë qeshur fëmijët e mi,
Lëreni nënën, është rrokatur nga pleqëria, ka strese,
Prandaj trembet sa herë unë vjersha botoj,
Lumturinë shiheni te motra ime. Pyeteni atë
Mua s’më kanë spiunuar asnjëherë, dhe motra
S’ka pasur nevojë të vrasë as burrin, as kunatin, as fëmijët
Si motra Hajrije në baladën popullore,
Në, baladën popullore që e patëm veshur si këmishën.
Unë, vetëm një herë e kam gënjyer motrën:
S’i kam treguar se kam vdekur e jam ngritur nga varri
Dhe ju, vetëm një herë ju kam gënjyer:
E vërteta është se motër s’kam patur asnjëherë!

blank

Porosia e një nëne Nga Miradije Maliqi

…..Të rrita me të gjitha ngjyrat e ylberit, që tët hapen të gjitha dyert e jetës.
Të mbrojta nga stuhitë që i ka jeta, të mbrojta nga të ligat.
Dritë e syrit tim,
Dua tët them sërish për të gjitha ato fjalë që t’i thashë gjersa rriteshe në prehrin tim,, tët them edhe për shumë të tjera që duhej ,por nuk ti thashë .
Për shumë shqetësime pa zgjidhje ,kur ishte e mundur por nuk u bë, kur doja, dhe nuk arrita.
Tët them, për të gjitha ndjenjat e fjalët që kanë ngecur diku në fyt, kur duhej të ti thosha dhe nuk ti thash ,edhe pse desha shumë.
Për të gjitha ato fjalë të ngrohta që do duhej e nuk dija se si të shprehesha
Të falem që jam nëna jote, që je bija ime. Gjithnjë gjatë rritjes tënde, dëshirova të kesh, vetëm gjërat që do të bëjnë të ndjehesh mirë.
Nuk është me rëndësi të jesh më e mira se të tjerat, por të jesh më e mira për veten tënde.
Asgjë nuk duhet të durosh , dhe të gëlltisësh e të heshtësh, se asgjë nga këto që ti numërova nuk duhet të bësh. Se jeta nuk është mbijetesë, por është vazhdimisht zbulim i çasteve të lumtura. Se rruga dhe mundësia ekzistojnë gjithmonë, kur dëshiron.
Por dëshira të jetë shpirtërore dhe jo nevojë.
Kur ndjek ndjenjën dhe shpirtin gjithçka mund të ndodhë, të gjitha rrugët i ke të hapura.
Dhe mos harro kurrë se të gjitha fatkeqësitë i vijnë njeriut ,kur zgjedh të jetojë ashtu siç e përcakton rrethi, që të mos ndahet nga turma ,por turmat krijojnë gjithnjë rrëmuja, dhe ngatërojnë njëri tjetrin.
Në të gjithë atë turmë ,njësoj, – Një veprim ndryshe ,shkakton reagime, dhe paragjykime, se dole jashtë rrethit ku i takon.
Por ti mos u shqetëso.
Bëhu vetvetja, bëhu e veçantë në harmoninë tënde ,sepse që të jetosh në harmoni me vetveten askush nuk mund tët lëndojë.
Të kuptosh se gjatë rrugëtimit tënd ta bësh jetën sukses, e jo suksesin parim jete.
Se ndjenja e dashurisë është dhurata më e çmuar që të bekon jeta, por jo çdo kush, i njeh ngjyrat e saj.
Se dashuria duhet të jetë rrugëtimi i përbashkët me atë që ke zgjedhur, jo nevojë.
Mund të ndodhë gjatë atij rrugëtimi të ndalosh të mbetesh në mes ,të kthehesh dhe të thuash se gabove.
Por të jesh në gjendje gjithnjë të provosh nga e para, nga fillimi, sepse kur diçka nuk bëhet mirë nuk bëhet në ato përmasa që të lumturon dhe të jep ndjenjën e mirë, duhet provuar sërish ,e mos tët brejë gabimi i të kaluarës, që tët pengoj hapin për shpresën ndaj të nesërmes.
Mos vrapo kurrë pas dikujt, përveç të kërkosh falje, nëse zjarri i gjuhës tënde e lëndoi dikë.
Betohu në veten tënde, kurrë në Idhuj të rremë
Sa herë të jesh mirënjohëse, ule vështrimin, përkulu bijë.
Mos ju shko të tjerëve pas , nëse e ndjen se nuk është rruga dhe qëllimi i yt.
Lëri të tjerët të jenë ata që janë.
Mund të jemi njëlloj me të tjerët vetëm kur flemë por pse të jemi një lloj kur zgjohemi?
Se askush nuk shuhet nëse ik prej nesh, se shpirti është i pavdekshëm, dhe gjithkund rreth nesh. Mos ju friko largimit se ajo është vetëm rruga përtej.
Gjithçka që vjen dhe mund të na godasë, vjen prej nesh
Sëmundjet, brengat, fatkeqësitë vijnë nga shpirti i ndrydhur, vijnë nga palosjet shumëkatëshe që i vejmë në zemër. Mendimet tona jo të mira, energjia e jonë e keqe.
Ji gjithmonë e mirë ndaj vetes ,kthjello mendimin gjatë rrugëtimit tënd. Pse të nisësh në mjegulla mëdyshjeje? Në
mjegull vetëm mund të pengohesh, të humbasësh rrugën.
Me çiltërsinë e shpirtit, me besimin e plotë tek vetja dhe besimin e çdo gjëje që beson, mund të rrokullisesh në humnerë, mund të pësosh zhgënjime, por s’ka ç’të bën.
Hapi krahët gjithnjë sepse vetëm krahët e hapur mund të pranojnë përqafimin
Sa do që të ketë njeriu brenga, duhet përpjekja për mendjen e shëndoshë ,këtë e thonë të gjithë, por ndonjë herë lotët ndihmojnë shumë që të nxirët krejt vreri dhe mllefi për diçka .
Lotët janë gjithnjë ato kristalet që e kthjellojnë mendjen dhe zemrën.
Pas shiut gjithnjë lind dielli
Lëri lotët të rrjedhin, të kthjellojnë mendimin të ndrisin rrugën e veprimit, të pastrojnë veprimin e gabuar , me atë që të shkakton ato lot ,,se loti është kristal i mendimit.
Kurrë mos i ndrydh ndjenjat ,kurrë mos lejo që lotët ti fusësh në zemër se do të krijohen lumenj të tërë, që vështirë pastaj t’i kalosh. Një shprehje e vjetër thotë se «Më mirë të rrish vetëm se sa me shoqëri të pa përshtatshme “Aty ku nuk ndjehesh mirë, përjashto mundësinë që të bëhesh pjesë e saj”. Vetmia nuk është torturuese .
Torturuese është të jesh rrethuar me njerëz, dhe të ndjesh akuj në zemër ,të ndjehesh e vetmuar ,dhe më mirë me veten tënde se sa me njerëz të gabuar.
Lumturinë krijoje vet.
Mos kërko lumturi tek dikush tjetër. Çdo kush është përgjegjës për lumturinë e tij. Nëse diçka nuk shkon, ndrysho rrugën ,ose kthehu edhe një herë nga fillimi ,deri kur të gjesh qetësinë ,paqen me veten. Nuk mund ta ndryshosh askënd.
Nuk mund të ndryshosh as veten ,por pranoje si përvojë që të ecësh tutje që të bëhesh më e mirë të ndjehesh më mirë për veten tënde.
Duaje veten respektoje veten, ndryshe si mund të jesh mirë kur e vështron veten me sy të huaj?
Shpirti i hapur është fuqia më e madhe ,porta nëpërmes të cilës kalojnë të gjitha botërat , dhe kurrë mos prano tët bindin ndryshe.
Frika nuk ekziston. Gjithçka që vjen pas vendimit dhe bindjes tënde,është shumë më e fuqishme se frika që mund të kesh për diçka.
Dashuria krijon vetëm dashuri, dhe gjithçka që të ka frikësuar pranë dashurisë humb kuptimin.
Dashuria lind vetëm dashuri .
Mos i beso frikës time.
Kundërshtoje me tërë fuqinë .
Nuk do ta kem lehtë, por më bind se frika ime është iluzioni im, sepse jetova me të qysh nga lindja e jote andaj e kam vështirë të pranoj se nuk ekziston.
Mos i beso kufizimeve të mia shqetësuese ,mi kundërshto
fuqishëm me dëshirën për jetën.
Mos u krahaso me të tjerët. Mos lejo tët krahasojnë.
Ti je e përsosur në gjithçka që bën mu ashtu siç je. Nuk është i rëndësishëm as suksesi as arritja diku, nëse nuk është bërë nga dashuria.
Në gjithçka që do të provosh të arrish me shpirt, do të jesh më e mira dhe më e arrira.
Shqetësimi nuk do të thotë dashuri. Mos lejo kurrë që tët ndrydhin shpirtin tët bëjnë për vete, me maskën e rrejshme të shqetësimit nga dashuria, sepse ai që të do ,do ti besojë rrugës tënde, ai që të do,nuk do ta njohë frikën për ty.
Se dashuri do të thotë, kur rriteni së bashku ,kur të adhuron pikërisht pse je e tillë, kur të përkrahë dhe merr pjesë në çmenduritë e tua ,kur patjetër e di dhe e kupton se çfarë të duhet bile edhe atëherë kur as ti nuk e din për veten tënde. Dashuri është kur të përqafon dhe mban në përqafim edhe kur e zhgënjen , dhe bie vazhdimisht humnerave të jetës, e zgjat dorën të ndihmon të ngrihesh sërish Dashuri do të thotë kur të adhuron dhe i pranon të gjitha mangësitë e tua, kur të thotë se je e fortë dhe e veçantë, kur përpiqet që tët përkrahë në çdo lloj krize dhe situatë, kur është pranë teje ,dhe bën gjëra për ty, gjëra që askush në botë nuk do ti bënte
Dashuri do të thotë kur të përqafon me aso përqafimesh që të ndjehesh se je në shtëpinë tënde
Dashuri do të thotë lumturia e përbashkët që keni krijuar.
Dhe mos harro kurrë, dashuria dhe lumturia kanë shumë forma e shumë ngjyra që na rrethojnë, por të lodhur me përditshmërinë shpesh në mënyrë të paarsyeshme ,nuk i vërejmë
Dashuria është e bukur vetëm kur jemi mirënjohës ndaj saj
Ti je mrekullia që duhet të krijojë mrekulli, ti ke fuqi të drejtosh jetën siç dëshiron, sa do që të jetë i kundërt me ata që e shohin ndryshe.
Ti nuk i takon askujt veç vetes, bijë, lejoi pra njerëzit vetëm të kujdesen për ty, tët mbrojnë nga e keqja ,jo të shqetësohen
për ty.
Ah po, edhe diçka, bukuria jote nuk rrjedh nga pamja jote engjëllore.
As fustanet e shtrenjta ,as trupi i jot . Mos e vlerëso veten me vlerat e pamjes tënde të jashtme ,dhe mos u dëshpëro mos e urrej trupin tënd kur tët shfaqen ndryshime me kalimin e viteve, kur të bëhesh nënë. Të gjitha këto janë pjesë përbërëse të jetës, dhe ajo çfarë është thelbësore është që ta duash jetën të jetosh çdo çast në çdo periudhë që do të vijë, por kurrë mos harro atë që do të them tani, se si të qëndrosh gjithnjë e bukur dhe e këndshme.
Bukuria buron vetëm nga shpirti, nga buzëqeshja e jote e sinqertë, që do ta ndash me njerëzit e tu
Bukuria buron nga sjellja dhe veprimi i yt. Pra të jesh e bukur do të thotë të arrish aftësinë që të shikosh veten në pasqyrë dhe të mos ndjesh asnjë lloj brejtje të ndërgjegjes se i ke hy dikujt në hak se i ke bë dikujt ndonjë padrejtësi ,por të ndjehesh krenare dhe e vlefshme.
Atë do ta arrish me ndërtimin e raporteve të shëndosha me njerëzit që të rrethojnë ,kur të jesh e gatshme të zgjasësh duart për ta ngritur dikë ,kur të zgjasësh duart për ta përqafuar dikë ti dhurosh ndjenjën
se nuk është vetëm në këtë botë të marrë. Bukuria e vërtetë është fryti i veprave të mirësisë që të bësh më të mirën për vete dhe njerëzit që të duan . Në secilin hap që do ta bësh për ta ndarë atë dashuri ,dhe mirësi ,do të ndjehesh më e bukur dhe më e bukur
Rrugë të mbarë bijë.
blank

Kur numrat ngatërrohen me vitet- Pesë vite pa Florinë- Poezi nga Neki LULAJ

Si kështu, Florinë?

Si???

Shumë herët na ngrive buzagazin në fytyrë

Ike drejt qiellit në kaltërsi

E na le shkrumb në zemër

Loti i patharë, pa ngjyrë

Na mbeti gjithnjë.

Shkove herët pa lamtumirë.

.

Atje larg

Në rrugën e lagëm me lotë.

Në zemër thellë

Na pate hyrë bijë,motër,nuse nënë,

Juriste e re si rreze që rrezaton.

 

.

Çuditërisht aty u ngujove

Dhe kurrë s’na hiqesh nga zemra

O lule që na kujton pranverën.

Fëmijët na i le të vegjël,

Sa pak dinin për jetën

Për Nënëmirë ndiejnë mungesën .

 

.

Po thërrasin.

Po pyesin me zërin e dridhur me zërin e ngrohtë

-Nga qielli na sheh  nënëFlorina

Edhe ditën me diell

Edhe natën e errët me shtrëngatë e shira.

E  plotë me mjegulla.

 

.

Ngado që shkojmë e kudo qe vijmë.

Ti je për ne busull për pastërtinë.

Fytyra e çiltër na vjen si hënë e si diell.

Po të kemi në shpirt si të të kishim një qiell.

.

Kur cingërin zilja të porta e bacës

Zëri yt na ndriton terrin e natës.

Për të hapur portën

Se po na mungon në shpirt po na mungon në çdo hap

Sugaresha e bacës dhe e mamasë!

Ikin ditët vitët e motet

E sytë tanë nga lotët nuk janë tharë.

 

.

Ka kohë që s’jemi parë. e zemra është si një eshkë  mbi prush

Na duhet të mësojmë çka është jeta e gjatë

Mashtrim a realitet?

Apo një sofër pa ujë e pa bukë?

Eh, si ikën vitet si kalorës që rrugën e ngatërrojnë.

S’di çka të shkruaj s’di se si fëmijëve t’ua spjegojmë

Na ike para kohe o Nënëmirën gojëmjaltë!

Në qiellin plot yje

Të shohim e na sheh

Çdo natë…..

.

Pejë,maj 2023

blank

BASHKË ME ATJONIN PELEGRINAZH NË BURGUN E QAFË-BARIT…- Nga VISAR ZHITI (VIDEO)

ZËRI I AMERIKËS:

Një udhëtim i dhimbshëm 11 vjet më parë në burgun e shkatërruar të Qafë Barit…

– Mos e lerë babin vetëm, – i tha Eda, mami, Atjonit maturant dhe ai erdhi me mua, megjithëse nuk doja të shikonte burg…

Dhe dhashë një intervistë për “Zërin e Amerikës” me gazetarin Pëllumb Sulo, shok i fakultetit, kemi qenë studentë në të njëjtën kohë në Shkodër.

Ja, të njëjtat rrëfime sërish, po ato shqetësime, po ato kërkesa, që vetëm përsëriten dhe po ai zemërim… fjalë, fjalë, fjalë, Imzot, siç thotë Shekspiri në një tragjedi të tij.

Ndërsa në një poezi timen, – ia tregova Atjonit vendin, se ku mund ta kisha fshehur, – shkruaja: Shqipëria si një Hamlet me kafkën e burgut ndër duar…

Im bir ende më vështron me ata sytë gjithë kërshëri, me një ngulmim vezullues dhe enigmë, të zmadhuar sa një qiell.
Visar Zhiti

blank
blank
blank

blank

URIM PËR DITËLINDJEN E POETIT TË SHQUAR TË POEZISË SHQIPE SKËNDER BUÇPAPAJ- Nga XHAHID BUSHATI

Kam zgjedhur në këtë ditë të bukur e të bekuar, për të uruar mikun tim të shtrenjtë e të vyer Skënder Buçpapaj, me shënimet e mia (që në një moment të dytë do të zgjerohen) gjatë leximit dhe studimit të librit poetik: “Diell i shumëfishtë” (Skënder Buçpapaj, Onufripoezi, Tiranë, 2022). I dashur Skënder, urimi im i zemrës është: Jeta t’u bëftë Diell i Shumëfishtë!
Skënder Buçpapaj është nga ajo tipologji e pakët poetësh që në rrugëtimin e tij i ka mbetur besnik gjinisë së poezisë, e ka lartësuar atë, e ka shenjtëruar, i ka dhënë vlera e risi. Në këtë rrugëtim të suksesshëm poetik, poeti nga njëri libër në tjetër, si në motivin e trajtuar e këndvështruar, si në pasurinë frazeologjike e dimensionin stilistik, prania e çdo fjale mbart filozofinë e të rrëfyerit, Modeli i ofruar, krahas imazhit, (nocioni i pranisë së kohës sikur përputhet me qiellin), krahas shumështresimit poetik, krahas strukturave rrëfimore (sikur na kujtojnë vargjet e Iliadës) ruajnë të paprekur, të pastër, si gur të çmueshëm identitetin e poetit bashkëngjizur me identitetin e poezisë, e cila shpërfaqet estetikisht madhërishëm, dhe e bukura çel si ajo lulja brenda vargut, ku na befason e na mrekullon, e pse jo aroma e saj bën që t’i kthehesh përsëri… Dhe kthehemi! Është një nga librat e pakët që i shërben poezisë shqipe në mënyrë sublime, me të cilën poeti ka një marrëdhënie shpirti, magjie e vërtetësie. Te libri poetik “Diell i shumëfishtë” poezia vjen si dimension, ku flet: Lumi, zogjtë, dita e nata, shiu, retë, bukuria, qielli, zana…
Urimet ma të mira! Paç lumturi dhe begati familjare!
Xhahidi
Shkodër, 22.05.2023
blank

DHOMA E IME- Poezi nga YMER LLUGALIU

Kjo dhoma ime tepër e ngushtë,
e zhveshun mobiljesh,
e zhveshun stolish,
vetmi dhe errsi,
në derë s‘më troket askush.
Nga dritarja dielli kurrë s‘më hyn,
dritarja shikon drejt e në burg,
në qelinë e ftoht,
ku kam nji patriot.
Shpeshherë
gjumin e kam tremb
deri në mesnatë,
ndër libra t’ue vjel
ndonji mollë bukurije,
ndonji mjalt dashunije,
ndonji rrush mendimi,
ndonji arrë rrezistence,
ndonji qershi freskije.
Kam hyp shpeshherë
mbi maja selvish,
në gembin ma të nalt
me vjerr në nji qime floku
shpatën e drejtsisë.
Ç‘e do ktë vit mori verë e thatë,
pemët s‘dhanë fryt,
I shortuan pa takt,
i krositën pa kriter;
Me nji lang shkrumues
të gjitha i kanë spërkat.
Rrëshen-Mirtitë,1976
blank

DITËLINDJA – Poezi nga AGIM VINCA

Në Paris, rastësisht, i mbusha pesëdhjetë e sa vjet.

.

Tani jam një vit më i madh se Naimi,

dyfish më i moshuar se Migjeni

dhe – mjekërbardhë si Lasgushi.

.

Për ditëlindjen time

pimë nga një gotë verë

me Veronikën nga Kili

dhe Mihain nga Bukureshti.

.

Ç’rastësi !

Të tre kemi njohur nga një diktaturë

(unë dy a tri)

dhe kemi ëndërruar botën e lirë.

I cakërrojmë gotat dhe themi:

Gëzuar!

Secili në gjuhë të vet;

në Paris, në botën e lirë

(A thua, vërtet?)

.

Në ditëlindjen time të njëqindepesëdhjetë!

blank

KUJTOJ MËSUESIN – Poezi nga AGIM VINCA

Pat ikur mësuesi im në Turqi,
unë abetaren e laga me lot,
në zemër më hyri fytyra e tij
dhe s’më hiqet as sot.
.
I vogël isha atëherë, pak dija
jeta me dukej lojë e dëfrim,
po ngado që shkoja, kudo që vija
shihja fytyrën e mësuesit tim
.
Dëgjoja zërin e tij të dashur
kur binte zilja për në mësim,
dëgjoja zërin e tij të dridhur:
“E di ç’është mërgimi ti, Agim?”
.
Por unë s’e dija, s’kuptoja asgjë,
ç’ishte mërgimi dhe Anadolli
Sytë e mësuesit ishin me lotë
atë ditë që fshati e përcolli.
.
Kaluan ditë, kaluan vjet,
librin nga dora s’e lëshova,
në banka të shkollës edhe në jetë,
punët e kësaj toke mësova
.
Mësova unë se ç’ishte mërgimi
shtëpia pa plang, sofra pa bukë
mësova pse mësuesi im
na la dhe mori të largëtën rrugë.
.
Sot, kur dhe vetë me ditar,
dal përpara nxënësve të mi,
e kutjoj mësuesin tim të parë,
arratisur larg në Turqi.
blank

Më 22 maj 1947 lindi poeti dhe studiuesi i shquar Agim Vinca

Agim Vinca lindi më 22 maj 1947 në Veleshtë të Strugës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në Strugë. Studimet për gjuhë dhe letërsi shqipe i kreu në vitin 1970, në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, ku edhe magjistroi dhe doktoroi. Ka qenë profesor në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës, ku ligjëronte Letërsinë e sotme shqipe.Tani është pensionuar dhe merret vetem me letërsi.

Agim Vinca është njëri nga poetët më të njohur bashkëkohorë shqiptarë dhe njëri ndër studiuesit më të dalluar të letërsisë shqipe. Agim Vinca merret edhe me përkthime letrare dhe shkrimin e veprave studimore për gjuhën dhe letërsine shqipe. Perkthimet e tij janë kryesisht nga gjuha franceze ne gjuhën shqipe.

Jeton dhe punon në Prishtinë.

Tituj të veprave

Feniksi (poezi, 1972)
Bregu i mallit (poezi, 1975)
Në vend të biografisë (poezi, 1977)
Aspekte të kritikës sonë (studim, 1977)
Qasje (kritikë, 1980)
Buzëdrinas (poezi, 1981)
Struktura e zhvillimit të poezisë së sotme shqipe (1945-1980) (monografi historiko-letrare, 1985)
Iz savremene albanske poezije u Jugoslaviji (antologji, Sarajevë, 1985)
Arna dhe ëndrra (poezi, 1987)
Orët e poezisë (kritikë letrare, 1990)
Populli i pandalur (publicistikë, 1992)
Alternativa letrare shqiptare (kritikë letrare, 1995)
Kohë e keqe për lirikën (poezi, 1997)
Shqiptarët mes mitit dhe realitetit (publicistikë, 1997)
Dri’ (poezi, përzgjedhje, Tiranë, 1999)
Sonet i vetmuar (poezi të vjetra dhe të reja, 2001)
Kurs i teorive letrare. Prej antikës deri te postmodernizmi (libër teorik, 2002)
Panteoni i ideve letrare (libër teorik, 2003)
Fije të pakëputura (sprova letrare dhe kulturore, 2004)
Kënga e hapur (antologji e komentuar, 2005)
Psalmet e rrënjës (poezi, 2007)
(Po)etika e fjalës, (publicistikë, 2010)
Arti i reagimit (publicistikë, 2011)
Muza e mëmëdheut (poezi, 2012)
Mashat (poezi, greqisht, 2015)
Une cloche à ton cou / Kambanë në qafë (poezi, frëngjisht, 2016)
Metoda letrare (libër teorik, 2016)
Nostalgji për kohërat e rrezikshme (poezi, 2017)

(Wikipedia)


Send this to a friend