Ishte një mbrëmje e veçantë pranvere në Ulqin. Galeria e Shtëpisë së Kulturës ishte mbushur plot me njerëz të ardhur nga të gjitha anët: vendas, krajanë, mysafirë nga Kosova, Shqipëria, mërgimtarë dhe dashamirës të trashëgimisë shqiptare nga Podgoricë. Në ajër ndihej një emocion i veçantë, sikur muret e galerisë po prisnin të dëgjonin zërat e së kaluarës.
Në qendër të kësaj mbrëmjeje ishte projekti “Shtëpia që ndërtoi civilizim”, i autorit Arben Berjashi, një njeri që kishte vendosur të mos lejonte që kujtesa e Krajës të zbehej nga harresa. Fotografitë e vjetra, veglat tradicionale, objektet e punuara me dorë dhe rrëfimet e brezave ishin vendosur me kujdes, sikur secila prej tyre të kishte shpirtin e vet.
Mbrëmjen e hapi moderatorja Ardita Rama. Zëri i saj i qetë dhe i ngrohtë mbushi sallën. Ajo nuk foli vetëm si moderatore, por si bijë e Krajës. Me mall kujtoi rrënjët e familjes së saj në Kështenjë, fshatin e gurit, të mikpritjes dhe të nderit. Teksa fliste për oborret plot jetë, për shkollat që dikur gumëzhinin nga zërat e fëmijëve dhe për shtëpitë ku trashëgimia përcillej me krenari, shumë sy në sallë u mbushën me lot.
Më pas u ngrit Ali Gjegjbritaj, mësuesi i vjetër dhe aktivisti i njohur. Ai foli për tezgjahun, ose vekun, siç e quanin dikur krajanët. Për një çast, dukej sikur në sallë dëgjohej trokitja e lehtë e drurit dhe ritmi i duarve të grave që thurnin qilima, mësalla e pajat e nusërisë. Ai tregoi se si vajzat e dikurshme, para se të martoheshin, kalonin net të tëra pranë vekut, duke thurur jo vetëm pëlhura, por edhe ëndrra për jetën e re.
Kur mori fjalën autori Arben Berjashi, ai foli me përkushtimin e një njeriu që e ndien trashëgiminë si amanet. Ai tha se shtëpia tradicionale krajane nuk ishte vetëm vendbanim, por zemra e jetës familjare dhe shoqërore. Gurët e saj, votra, çardaku, ahuri dhe arka e nuses bartnin histori të tëra brezash.
Pastaj në foltore doli Fiqiret Mujeziqi, i cili solli para të pranishmëve figurën e votrës shqiptare. Ai përshkroi me aq gjallëri oxhakun, prushin, saçhakun dhe mashën, sa dukej sikur era e druve të djegura po përhapej në sallë. Votra, tha ai, ishte zemra e shtëpisë; aty gatuhej buka, priteshin mysafirët dhe ruheshin rrëfimet e familjes.
Në vazhdim, Gazmend Çitaku foli për arkën e nuses. Ai e përshkroi atë jo si një orendi të zakonshme, por si një thesar kujtimesh dhe simbolesh. Në të ruheshin qëndismat, veshjet tradicionale dhe mundi i vajzës shqiptare. Rozetat diellore dhe “Pema e Jetës” të gdhendura mbi të dukeshin si bekime të heshtura për jetën e re të nuses.
Kur dritat e sallës u zbehën dhe nisi dokumentari i përgatitur nga Arben Berjashi, galeria u mbulua nga heshtja. Në ekran kalonin shtëpi të vjetra krajane, mure guri të rrënuara, oborre të boshatisura dhe objekte të mbetura në mëshirën e kohës. Ishte një film i bukur, por i dhimbshëm. Shumë njerëz ulën kokën, ndërsa të tjerë fshinë lotët në heshtje. Dukej sikur gjithë ajo trashëgimi shekullore po kërkonte të mos harrohej.
Në fund nisën diskutimet. Dr. Zylfie Gjoni foli me emocione të forta, duke thënë se ajo mbrëmje e kishte kthyer më shumë se gjysmë shekulli pas në kohë. Neki Lulaj solli ndër mend arbëreshët e Itali, të cilët ende ruanin vekun dhe traditat shqiptare në Kalabri. Ndërsa Dokol Dana kërkoi që këto vlera të ruheshin dhe të regjistroheshin në UNESCO.
Në fund, u ngrit edhe Luljeta Dana, gruaja që kishte arritur të regjistronte xhubletën shqiptare në UNESCO. Me zë të sigurt ajo tha se me këmbëngulje dhe besim mund të arrihet çdo gjë.
Kur mbrëmja përfundoi, askush nuk u largua menjëherë. Njerëzit qëndruan pranë fotografive dhe objekteve të ekspozuara, duke folur me mall për kohët e vjetra. Dukej sikur për një natë, Kraja ishte rikthyer përsëri e gjallë mes tyre — me zërat, kujtimet dhe shpirtin e saj të pavdekshëm.