I nderuari shoku Kallashnikov –
Kështu po të drejtohem, sepse e ndiej
Që nuk të shkon cilësori zotni –
Te ju, në Rusi , ashtu si edhe te ne,
Gjërat ndryshuan me shpejtësi
Qoftë për mirë , qoftë për keq…
E pra , shoku Kallashnikov,
Nëse i hipën avionit dhe zbret në Shqipëri
Të siguroj se do të pritesh me brohoritje ,
Do të përjetetosh çaste madhështore prej heroi
Pikërisht tani që s’e pret, në pleqërinë boshe,
Harruar tërësisht nga shteti dhe media,
Mbetur me një pension fyes, fare të vogël
Që s’të lejon asnjë lloj luksi,
Përveç një shisheje vodkë, që çuditërisht ,
Nuk markëtohet ende Vodka Kallashnikov .
Do të duken fatalisht të verbër njerëzit
Brohoritës,
Verbëri që rrezikon të përlajë edhe ty.
Por s’prish punë, s’prish asnjë punë,
Verbëria në Shqipëri
Eshtë institucion kombëtar
Prej kohësh…
E pra mund të vish tani , në Shqipëri
Veshur me kostum dosido, jashtë mode,
Ose me kapotë të gjatë e të ashpër ushtarake,
Pa grada;
Suksesi në çdo rast është i garantuar;
Një hije hollivudiane do të të zbresë në portret
Edhe pse vjen nga Rusia.
Krismat e armës tënde
Do të shpërthejnë në përshendetje;
Ngjajnë shumë ato
Me emrin tënd konfidencial shqiptar
Kallash
Kallash !
Kallash
Kallash ,
Emblema e ditës kallash,
Apokalipsi kallash!
Provo firmos pa krismën e tij,
Pa krismën e tij provo vendos !
Kallash
Kallash
I shembëm monumentet ne në Shqipëri
Njëlloj si ju, në Rusi , por sigurisht më egërsisht,
Dhe ,nuk u ngritën monumente të rinj.
Historia jonë nuk shkruhet ende,
Veçse çdo ditë bëhet e zhbëhet;
Dua të them në fund të fundit ,
Një monument për ty, kapter Nikov,
Fare mirë mund të ngrihet;
Ia kemi marrë dorën ne shqiptarët
Këtyre punëve…
Do të jetë një monument më i sigurt se ai
I Leninit,
Apo Stalinit;
Meriton më tepër se këta të shemburit.
Pastaj shqiptarët i repektojnë shumë
Shpikësit e mëdhenj të armëve…
Kallash
Kallash
Një ditë Shqipëria u gdhi me armë në çdo shtëpi,
Armën mitike , armën ligjvënëse.
Me të shkonin njerëzit në punë , me të në kafe,
Dhe në krevat;
Me të në bilardo, ku e përdornin si stekë…
Fëmijët me të loznin dhe argëtoheshin,
Me të vriteshin…
Ia mbërritëm të bëhemi lajmi i parë
Në të gjithë televizionet e botës,
E pra, ç’thua tani për një vizitë në Shqipëri
Shoku Aleksej Timofijeviç Kallashnikov ?
Po për ngritjen e monumentit tënd,
Ç’thua, Kapter Nikov ?
Nderin që s’ta bëjnë në vendin tënd,
Ndodh që ta bëjnë në një vend të huaj…
Veçse kujdes !
Ky monument,
Nuk duhet t’u ngjajë kurrsesi
Monumenteve të dikurshëm \
Të Leninit
Dhe Stalinit…
Apo , pikërisht atyre duhet t’u ngjajë
Ky monument ?
1997