Un’ të thom jam i kuq
Ti më thua jam i bardh’
Un’ me huq e ti me huq
Pra, të zezat radh’-radh’
.
Nën’ e zez’, motër e zez’
Babë i zi e babëzi
Në çdo hap – një varrez’
ky atdheu yn i zi
.
Oh ky atdheu yn i zi
na u bë skëterr’ e vrerit
Varen eshtrat e shqiptarit
nëpër sqepe të skifterit
.
Dhëmb’ për dhëmb
e sy për sy, si ti mua dhe un’ ty
Nëna ime, nëna jote
zën’ e qajnë për të dy
.
Djali babën – baba djalin
vuan ta zër e ta përzër
Që ta pjek më hell të gjall’
T’ia pres mishin me gëshër’
.
Botë e çmëndur, djall i çmëndur
Zot’i çmëndur, të gjith çmëndur
Vetëm vdekja bën të sajën
ha e ha e s’ka të dëndur….
.
Perëndi, o Perëndi,
bota thon’ se ti kur dashke
Bën si do e bën si di
Shenjtërin’ e vendit tën
.
nuk e ka edhe një tjetër
Ësht’ këtu Baba Tomorri,
kryefroni yt i vjetër
Jemi rob, kurban i tij
.
varfanjak edhe dervisha
Jemi rob, kurban i tij
me xhamia e me kisha
E pra, ti, o Perëndi:
.
pse na lë në dor’ të djallit!?
Që na shtypi na përtypi
nëpër nofulla t’çakallit.
Edhe rri e bën sehir,
.
bën sikur asgjë nuk di
Pra dhe ne jemi kondra;
duam një tjetër perëndi.
Duam një Zot që të na kap,
.
të na kap e të na tundë
Të na tund e të na shkund
Vllavrasjes t’i jap fund
Ohh, më fal o Perëndi
.
për k’të fjalë që e thashë
i rrëmbyer dhe i trëmbur!
Mirpo gjuha më rreh dhëmbin
atë dhëmb që më ka dhëmbur
.
Më rrëmben edhe më nxit
kurse shihen ca jezitë
Dikur mburren delenxhit’
Diku tallen me profit
.
Për të ligun flasin mirë,
për të mirin flasin keq
Gjuh’e tyre gjarpër fshihet
komb’i varfër vuan e heq
.
S’kemi fjalë për ca kusar’
Vidh e ha, vidh e ha
Me një bark sa dy hambar’
Ata lëri mos i ngà….
.
Ata kanë një vulë në ball
dhe njëqind e një dhëmballë
Dhe njëqind e një dhëmballë
çdo dhëmballë me shtatë presa
.
Mirpo kombi ka të tijat
Shtatëmilionë e gjysëm pjesa
Ai lipset që të rrojë
E doemos që do të rrojë
.
Qoft’ me hir, qoft me pahir
Se aty ku bie zjarri,
shpërthen lulja më e mirë…