“Çerçiz Topulli në konakun e Ademit”, fillimligjërimi poetik me një monolog të imagjinuar, të cilin e sistemon vargu në mënyrën e tij, në të folmen e tij specifike dhe në formën e shprehjes së kohëve, epokave të ndryshme të të njëjtit ideal. Çerçiz trimi e Adem legjendari ulur këmbëkryq në legjendat e lashta, por që arrijnë deri në të sotmen tonë, llafosen, qajnë halle e shuajnë malle, bredhin nëpër brengat e historisë dhe monumentohen në shtatore.
Janë këto vargjet e para të veprës së Ismet Tahirajt, të cilat hapin portën e motiveve të tij për t`u radhitur në vargjet tjera, në titullëzimet tjera e në fjalët dhe kuptimet që i ka projektuar autori. Duke pretenduar se libri shkruhet për të vegjlit, ai e fillon me dy kolosët e gjurmëve heroike për t`i njohur shpirtat njomëzakë me themelet, mbi të cilat sot ëndërrohet, jetohet, veprohet, këndohet e aspirohet.
“Ibri ishte aq i qetë
Aq i kthjelltë,
Zemër e tij
Kishte veç festë. “
“Sykaltri’ përshëndetë Jonin dhe Rinën, përshëndetë diellin, njëkohësisht dhe brigjet e tij, shpirtrat që i freskon përgjat rrjedhës e me gurgullima melodike. Joni, subjekt poetik përfaqësues i brezit të tij, defilon në poezi në pegasin e imagjinatës fëmijërore, i cili e shpie në ëndërrime fluturuese. Bota fëmijërore shpërfaqet e vargëzuar në poezinë e Ismetit. Ajo ndërtohet me elementet që kërkon një format i tillë krijues. Eksperienca krijuese e poetit di t`i adoptoj momentet imagjinare, kurreshtjen fëmijërore dhe shpjegimet apo informacionet e poetizuara ose të ndërthurura artistikisht, në një mënyrë të përshtatshme dhe lehtësisht të kapshme nga ata, të cilëve u dedikohet.
Si në çdo krijim për fëmijë edhe në këto poezi trajtohen motive të ndryshme me subjekte të ndryshme poetike. Bota shtazore është e pashmangëshme, sepse duhet ta bartë fabulëzimin e dukurive a fenomeneve artistike; kali, viçi, pela, mustaqemurrmi, gjeli, skifteri, vjedulla, lepuri e të tjerë, janë protagonistët që lozin në skenën e tyre, që trajtëzohen ose subjektivohen për ta zënë çastin poetik. Natyrshëm akomodohen në një ambient ku shquhen; përroi i Bulecit, fusha, bregu, hambari, kasollja, foleja, malishta e të tjera skena veprimi. Në përmbledhjen poetike nuk mungojnë aluzionet edhe për skena lufte, aty ku engjëjt e vegjël ngelin të mbërthyer për nënë që ka marrë rrugën drejt qiellit, që është bërë kujtim:
“Këtë mëngjes
Të ftohtë akull,
Shi i madh i plumbave
Derdhet shtëpive
E udhëve, sokakut.”
E ky “shi” i mëngjesit të akulltë kallkanosë nëna, përcëllon fëmijë tek vërshon udhëve e shpirtrave njerëzor. Ai rrjedh në kohë, gjithashtu, në të djeshmen, por edhe në të sotmen, ai grryen maskat e kohës dhe ç`maskon ata që vrasin fëmijë, vrasësit e jetës dhe të ëndrrave.
Por, shiu do ket edhe një mision tjetër. Autori e angazhon, natyrshëm, të rrjedh rrugëve të tij, t`i arrij piketat për të cilat është krijuar dhe bie:
“Me radhë shiu
Ec e nuk ka hile,
Pjepri rritet
Pesë kile.”,
Shiu e lagë elbin, ikën te liqeni, i qaset shalqirit dhe dhuron ylberin, i cili harkon në ballin e fëmijëve dhe në qiellin e poetit.
Kështu, tëban i shtrirjes poetike për fëmijë, bëhet natyra me fenomenet e saj, e cila është infrastruktura e duhur dhe e përshtatshme për këtë lloj poezie. Ismeti e shfrytëzon këtë bukur, estetikisht dhe në kontekst të shtrirjeve motivore, për të sajuar e formësuar frymëzimet e tij. Këtu shpërfaqet mjeshtria e shtjellimit dhe “zanati” i ligjërimit poetik, kur ke parasysh që poezia për fëmijë nuk është e lehtë për t`u shkruar, nuk është e lehtë për të depërtuar në botën e andrrallave të fëmijës, në shpirtin e brishtë dhe në mendjen kurreshtare. Ismeti ia del t`i figurëzojë postulatet poetike që i kërkon kjo mosh, ky nivel perceptues, kjo kategori lexuesish, në përgjithësi.
Në llojshmërinë e ndërtimeve poetike, Ismet Tahiraj relievon edhe poezinë përkushtuese për trimat, për viktimat (si për familjen Duriqi), gjithnjë në nivelin e kapshëm për botën e të vegjëlve:
“Më ai s’u kthye
Atdheu i ka punët e mëdha
Unë për atdhe kam vesh qefin.”
Vrasjet makabre të fëmijëve (e të tjerëve), vendet e tmerrit, ku ato ndodhën, janë shtytje e veçantë e Ismet Tahirajt. Ato përshkruhen disa herë, në disa vende e vargje specifike dhe e pahëzojnë ndjeshmërinë e autorit, sensitivitetin shpirtror të tij, por edhe dëshirën për t`i monimentuar këta fëmijë që nuk e gëzuan jetën.
Poashtu, Ismeti shkruan për Ibrin, si simbol lashtësie, por edhe si vazhdimësi e vuajtjeve dhe e qëndresës së molisur, për Cerajën e poetit Jakup dhe të ngulitjes stoike, qoftë edhe si përmendore. Pra, janë gjurmët e të djeshmes dhe reflektimet e të sotmes, të cilat gërshetohen në krijimtarinë e poetit.
Në këtë kontekst, përmenden edhe emra të përveçëm, bartës të dukurive të ndodhura apo simbole të gjurmëve të kohës; luftëtari, i zhdukuri e të ngjashëm, të degdisurit në Gjerdap a të bërë hi në miniera. Me një fjalë; jeta dhe peripetitë e njerëzve të këtij nënqielli.
Një krijimtari e veçantë, që nuk është poezi, nuk vjen në vargje, janë tregimet për fëmijë: “Çezma e Nekut”. Autori rrëfen për gjetjen e ujit, hapjen e çezmës, mënyrën e hapjes së burimit, dialogun mes personazheve dhe punës që bëhet e shpresës që ngazëllen shpirtrat e njerëzve të etur për një pike ujë. Njëri nga personazhet është Neku i Prekazit, emrin e të cilit e mere çezma.
Edhe si tregimtar, Ismet Tahiraj shpërfaqë origjinalitetin e tij krijues, stilin, mënyrën e të rrëfyerit, gjuhën dhe ndërtimin strukturor;
“Roja e Pyllit është Dakord ta Gjelbrojmë Kodrën me Fidane”, është një tjetër tregim, i cili rrëfen për idenë dhe nismën e nxënësve për të mbjellur fidane. Ata diskutojnë dhe planifikojnë si ta bëjnë këtë punë të dobishme për shoqërinë dhe për përmirësimin ekologjik të mesit ku jetojnë. Autori angazhon personazhet fëmijë për ta ravijëzuar botën e tyre, percepcionin e tyre për jetën e për ambientin, vizionin e tyre për të ardhmen. Tregimi, gjithashtu, shpreh ngjyrimet e mendimeve fëminore dhe panoramën se si ata e shohin botën, si i pranojnë dhe i ndjejnë interferencat e shoqërisë, në përgjithësi.
Edhe tregimi tjetër; “Gimi dhe Shtaga” ka të njëjtin funksion, atë edukativ, ka të njëjtin mission, përgatitjen e fëmijëve për jetën që ata kanë përpara. Kështu, konponenta edukuese është primare dhe dominante, por edhe mesazhet që rrjedhin prej tyre janë poaq të rëndësishme e të dobishme:
“Shih djali im, herave tjera kujdes të veçantë të kesh, sepse ku ka qershi të egër sidomos maleve, atypari gjendën gjarpinjtë dhe është rrezik i madh për njeriun. Pse nënoke?
Sepse gjarëpri e ha lëvorën e kokërres së qershisë, po ashtu sulmon trumcak dhe shpezë tjera.
Pastaj, sa herë shkonte Agimi në Lugun e Blirave, me vete kishte një shtagë thane, për çdo rasat, nëse i kërcënohet rreziku.”
Ndërsa, në fund të librit, Ismet Tahiraj i ofron lexuesit një mori aforizmash për fëmijë, nga thesari popullor. Aforizmat përfshijnë aspekte të gjithanshme të jetës, shtrihen në gjerësi e thellësi dhe janë këshilla të veçanta që i shërbejnë formimit njerëzor dhe edukatës njerëzore. Kjo është filozofia popullore, e cila shprehet në mënyrë lakonike, ofron eksperiencat e përjetuara në mënyrë të figurëzuar.
Ismeti e ka begatuar librin me 105 aforizma të tilla, të cilat janë pasuri artistike dhe udhërrëfim për fëmijtë, për ambiciet e tyre.
Libri për fëmijë “Çezma e Nekut” i Ismet Tahiraj, është konstrukti letrar i radhës i këtij autori, i cili nuk rreshtë së krijuari vlera letrar-artistike të nivelit, nuk ndalon së shfaquri botën e tij të brendshme, shpirtin dhe emocionet e tij, duke i sistemuar në vargje dhe në forma tjera të krijimtarisë.
Xheladin A. Çitaku