VOAL

VOAL

Emiljano Shullazi në Gjykatën e Krimeve të Rënda, nis seanca larg mediave

Emiljano Shullazi ndodhet në Gjykatën e Krimeve të Rënda ku ka nisur seanca pa praninë e kamerave. Sot në orën 8:30 pritet që Gjykata e Krimeve të Rënda të vendosë masën e sigurisë për Emiljano Shullazin dhe dy bashkëpunëtorët e tij, Gilmando Danin dhe Blerim Shullazin, të tre të arrestuar tri ditë me parë.

Masa duhej të merrej ditën e djeshme por vendimi u shty dhe shkak është bërë fakti se gjyqtari që do i komunikojë masën e sigurisë, ishte duke gjykuar të akuzuarit për terrorizëm.

‘’Është brenda afatit ligjor. Ka ngarkesë për proceset e tjera që po zhvillohen. Është babai i të dëmtuarit, jo i dëmtuari konkret. Nuk i njohin personat që i akuzojnë. Asnjë nga të dëmtuarit në qytetin e Durrësit nuk ka bërë asnjëherë asnjë kallëzim.

Jemi njohur me kërkesën, por asnjëherë me provat. Nuk i është gjetur pistoletë. Pretendohet për kanabis sativa, po nuk është bërë ekspertiza. Është një person që nuk i intereson bota akademike. Nuk ka vajtur oficeri gjyqësor të marrë deklarimet. Nuk ka prova dhe padi për të vërtetuar akuzat.’’, tha avokati Alban Qafa.

Emiljano Shullazi dhe “banda” e tij, për Prokurorin e Krimeve të Rënda dyshohet se ka kryer 6 vepra penale në më shumë se 15 raste të përsëritura.

Sipas kësaj dosje, Emiljano Shullazi dyshohet se është kreu i një “bande” e cila vijon aktivitetin e saj kriminal, për të realizuar marrjen e përfitimeve të padrejta, nëpërmjet kanosjes si dhe trafikimit e lëndëve narkotike. Në dosje janë renditur dyshimet, ku Emiljano Shullazi, krahu i tij i djathtë Gilmando Dani dhe kushëriri Blerim Shullazi dhe persona të tjerë që po hetohen, janë përfshirë në veprimtari kriminale.

Gent Sejko: Rritja ekonomike për 2016 parashikohet 3 – 3.2 %

Arben Xhixho – Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko tha se parashikimi i Bankës për rritjen e ekonomisë së Shqipërisë gjatë vitit 2016 është 3 deri në 3.2 për qind.

Duke folur për Zërin e Amerikës, pas takimeve në Uashington me zyrtarët e Fondit Monterar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, zoti Sejko, tha se Banka e Shqipërisë është treguar më konservatore në këtë parashikim se sa Banka Botërore.

Por më shumë se shifrat, tha guvernatori Sejko, ajo që ka rëndësi është prirja pozitive e zhvillimit, fakti që ekonomia e Shqipërisë gjatë viteve të fundit ka shënuar vazhdimisht rritje.

I pyetur për shqetësimet e ngritura lidhur me klimën e përkeqësuar të biznesit për investimet e huaja, guvernatori Sejko tha se shqetësimet duhet të jenë në qendër të vëmendjes së qeverisë dhe të gjithë aktorëve që kanë një ndikim në mjedisin e përgjithshëm të biznesit.

Duke e vënë theksin tek faktorët e jashtëm, zoti Sejko përmendi situatën jo pozitive në rajon dhe se eksportet shqiptare janë të ndikuara ndjeshëm nga vështirësitë ekonomike që kanë partnerët në eurozonë. Gjatë vitit 2015, tha ai, u shënua një rritje e investimeve të huaja në nivelin 11.5 për qind,  si rezultat i rinvestimeve ekzistuese në Shqipëri dhe pritet që këtë vit ky nivel të rritet nga fillimi i projektit të TAP-it dhe ndërtimi i një hidrocentrali në jug të vendit.

Guvernatori tha se vetëm me instrumentat e bankës qëndrore, si ulja e normës së interesit, nuk mund të arrihet rritja ekonomike, por duhet të ketë një kombinim më të mirë të politikave monetare me politikat stimuluese fiskale si dhe me reformat e duhura strukturore, të cilat arrihen me një udhëheqje politike me strategji të qarta.

Shqipëria tha ai i ka shpallur dhe i ka ndërmarrë reformat strukturore dhe është në procesin e vazhdimësisë së këtyre reformave, por do të duhet më tepër kohë për të marrë rezultate.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko ishte këto ditë në Uashington, ku mori pjesë në takimet e pranverës të Fondit Monetar Nërkombëtar dhe të Bankës Botërore. Zoti Sejko ishte i ftuar për një bisedë të drejtpërdrejtë në emisionin “Ditari” të Zërit të Amerikës.

Largohet nga Shqipëria personi që e akuzoi Emiljano Shullazin

Menjëherë pas publikimit të emrit të tij, si personi që ka përmendur emrin e Emiljano Shullazit, Mitri Prifti, ky që shihni në këtë foto, është larguar nga Shqipëria.

32 – vjeçari nga Kuçova është kushëriri i ndërtuesit Jani Zaka, edhe ky, që shihni në këtë foton tjetër, i larguar jashtë Shqipërisë pak ditë pasi deklaroi se Shullazi e kishte kërcënuar për t’i marrë parkingun nëntokësor prej 1.200 metrash katrorë, në rrugën “Sali Butka”, pranë Policisë Bashkiake.

Deklarimet ata i dhanë më 3 Shkurt të këtij viti.

Televizioni Klan mëson se Mitri Prifti është nisur nga Aeroporti i Rinasit gjatë natës. Ai ka marrë një fluturim të orës 3:32 drejt një kryeqyteti të një vendi të Ballkanit.

Ende nuk dihen arsyet e largimit të menjëhershëm të Priftit nga Shqipëria, por dyshohet se kjo ka qenë një masë sigurie e ndërmarrë prej tij.

Mitri Prifti ishte ai që i sqaroi policisë në detaje kërcënimin që kishte marrë kushëriri i tij nga Emiljano Shullazi. Dhe pas kësaj, ka thënë se ishte kërcënuar edhe vetë nga Blerim Shullazi.

“Rreth orës 14 e 30 më ka ardhur një telefonatë nga numri……. Dhe më thotë: Mario ti je? Unë i them: Po, kush je? Më thotë: Jam Blerim Shullazi. I thuaj kushëririt tënd Jani, të vijë për dy minuta tek lokali se përndryshe do vish ti në vend të tij. O djalë, do më qash në duar. E di se çfarë të bëj, por hajde urgjent për 10 minuta të jesh këtu”.

Rreth 40 ditë pas kanosjes, në portën kryesore të parkingut shpërtheu një sasi eksplozivi.

Aktualisht, të dy personat që kanë bërë deklarimet në polici kundër Shullazit, ndodhen jashtë vendit, në pamundësi për t’u pyetur nga prokuroria.

Berisha: Kushëriri i ministrit Beqaj ia dhuroi ‘Vollgën’ Shullazit

TIRANË- Ish-kryeministri Sali Berisha, i pari që denoncoi publikisht Emiljano Shullazin, deklaron se “Vollgën” ia dhuroi kushëriri i një prej ministrave aktual.

Berisha publikon mesazhin e një qytetari dixhital, që sipas tij tregon se kjo pronë iu dhurua Shullazit nga djali i xhaxhait të ministrit Ilir Beqaj.

“Arapi bamirës i Shullazit që i dhuroi Vollgën, është Ylvi Beqja, djali i xhaxhait të Ilir Beqës! Qytetari dixhital informon se:

Arapi, bamirësi i madh që e bëri të lumtur Milin e Partisë duke i dhuruar Hotel Vollgën, është fiks Ylvi Beqja, djali i xhaxhait të Ilir Beqës. Qytetari informon se arabët e vërtetë, të paktën prej 10 vitesh nuk janë dukur në Shqipëri. Këtu na del një tjetër Shullaz në qeveri. I bëj thirrje prokurorisë të hetoje lidhjen mafioze të Beqajve me Milin e Partisë!”, shkruan Berisha duke publikuar edhe mesazhin nga qytetari dixhital.

“Doktor përshëndetje, përfaqësuesi i arabëve tek Vollga është Ylvi Beqja, djali i xhaxhait të Ilir Beqës. Dhe arabët nuk kanë shkelur të paktën prej 10 viteve në Shqipëri. Dhuruesi real është djali i xhaxhait të Beqajt se arabët kanë deleguar tek ky pronën dhe nuk vijnë kurrë në Shqipëri”, thuhet në mesazhin, të cilit i referohet Berisha.

Prokuroria sekuestron hotel Vollgën – çfarë del nga hetimi

Prokuroria e Durrësit, me lejen e gjykatës, ka vendosur sekuestro preventive ndaj objektit ish-“Vollga” në Durrës, nën dyshimin se është përfituar me kryerjen e veprave penale të “Falsifikimit të dokumenteve”, “Shpërdorimit të detyrës” e “Pastrim i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”.

Nga hetimet e deritanishme të Prokurorisë së Durrësit, të nisura në bazë të kallëzimit të shtetasit Z.H., janë krijuar dyshime të arsyeshme për paligjshmëri në veprimet e kryera mbi ndryshimet e pronësisë.

Prokuroria e Durrësit konstaton se janë kryer një seri veprimesh të dyshimta për tjetërsimin e pronës në favor të shtetasve të ndryshëm.

Këto veprime të dyshuara antiligjore, sipas Prokurorisë së Durrësit, shtrihen në zyrën hipotekore, zyrat noteriale, por edhe në Gjykatën e Durrësit, e cila ka marrë vendim në kundërshtim me vendimin e Gjykatës së Lartë lidhur me këtë objekt.

Shullazi – policëve të arrestimit: Hajdeni, po ju prisja

Shoqërimi i Emiljano Shullazit ditën e shtunë iu besua forcave të Njësisë “Shqiponja”, të mbështetura edhe nga shërbimet operacionale dhe ato të Komisariatit nr.2.

Por duket se edhe për vetë Policinë ka qenë befasi prezenca e Shullazit në shtëpinë e tij që ndodhet tek ish- Parku i Autobusëve, pasi nuk pritej që të ndodhej aty.

“Panorama” referuar burimeve shkruan se sipas informacioneve te siguruara nga Policia flitej se ai ndodhej në Krujë, ku edhe po qëndron më shumë kohët e fundit. Për këtë arsye, grupit që mori pjesë në këtë aksion iu kërkua që të shoqëronin të gjithë personat e afërt të tij që pritej të ndodheshin në zonën e njohur tashmë për Policinë.

Burimet thanë se në momentin që janë gjendur në tunelin e një prej pallateve në krah të vilës së Shullazit, tek ish-Parku janë përballur me të paktën 20 persona që qëndronin para portës dhe janë bërë gati për t’i shoqëruar të gjithë në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.

Por në kohën që forcat e Policisë po nisnin të bënin shoqërimet, në krye të shkallëve është shfaqur vetë 38-vjeçari, i cili ka bërtitur që t’i linin të qetë njerëzit e tij. “Po ju prisja. Nuk keni punë me djemtë. Do të vij unë me ju, ja ku më keni!”, u është drejtuar Shullazi punonjësve të Policisë dhe ka zbritur poshtë.

Ai e ka hapur vetë derën e makinës së Policisë, pa pyetur për arsyen e shoqërimit, apo pse Policia kishte shkuar aty. Ndërsa asnjë nga personat që ishin të pranishëm aty nuk është shoqëruar nga Policia. Po ashtu, nuk është bërë as kontroll banese në atë moment, pasi forcat e Policisë janë kthyer aty pak më vonë dhe nuk kanë gjetur asgjë.

Ndërsa dy personat e tjerë, Gilmando Dani dhe kushëriri i Shullazit, Blerim Shullazi, janë shoqëruar në momentin që kanë shkuar në Drejtorinë e Policisë që të interesoheshin për 38- vjeçarin.

Nga ai moment, ata nuk janë lejuar që të dalin më nga Drejtoria e Policisë së Tiranës. Ndërsa pas orës 01:00 të natës iu është komunikuar arresti të treve, në ekzekutim të urdhrit të Prokurorisë.

Sulmoi Trumpin – kundërsulmohet nga Uashingtoni: Edi Rama është i lidhur me krimin

Një histori interesante nga George Soros. Një nga miqtë e tij të ngushtë dhe i ftuar në dasmën e tij në vitin 2013, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.

Edi Rama ishte në Washington këtë javë dhe u takua me udheheqjen e SHBA-ve në Shtepinë e Bardhë.

Dhe e dini cfare tha?- Tha që Donald Trump është turp për civilizimin.

Po, ky person ishte i ftuar në dasmën e George Soros. Ky person është tërësisht i korruptuar, Parlamenti i tij është i lidhur me korrupsionin.

Ne duhet t’u kërkojmë këtyre udhëheqësve të huaj të qendrojnë larg politikës së brendeshme të SHBA-ve. Dhe shikoni lidhjet e tij me George Soros.

Shkarkimi nga Janullatosi – At Nikolla Marku: I ke ditët e numëruara!

TIRANE- At Nikolla Marku që njihet si një nga kritikuesit e Kryepeshkopit Anastas Janullatos ka reaguar sot pas shkarkimit që i është bërë nga ky i fundit. At Nikolla, e quan shkarkimin cenim të Kishës Ortodokse, ndërsa shprehet se ata që kërcënojnë po vulosin fundin e tyre të padiskutueshëm.

Më tej prifti At Nikolla Marku kërkon dorëheqjen e Kryepeshkopit Anastas Janullatos.

JA DEKLARATA E PLOTE
Shqiptarizmi i ortodoksise shqiptare, nuk mund të cënohet nga banditë me veshje prifti dhe helm shovinizmi. Kush kërkon derdhje gjaku, brenda ortodoksisë shqiptare, do ta mbulojë gjaku i tradhtarit këmbë e kokë. Kush kërkon përcarje brenda besimtarëve të vërtetë ortodoksë, do ta mbulojë përcarja brendi shpirtit dhe mishit të kalbur që e mban në këmbë si ty Andon dhe Janullatos.

Metropolia e Elbasanit, është një abuzim dhe përfitim nga takimi i Papës Francesku me Bartolomeun. Sa shpejtë u ngutën të nxjerrin përfitime në dëm të Shqipërisë dhe Papës vetë. Kushdo që cënon Kishën Ortodokse të ngritur nga Fan Noli, do të pësojë fundin e padiskutushëm si shërbëtorë të shovinizmit Vorio-Epir.

Andon, alias Janullatos, ju bëjmë thirrje, të mos e pranosh bekimin e djallosur nga Janullatos. Të dorëhiqesh menjëherë. Ti djalosh, përfaqësues i fondacioneve of shore të Janullatosit i ke ditët e numëruara.

Andon dhe Anastas Janullatos, mos guxoni ti afroheni Kishës Shqiptare Ortodokse, sepse, gjaku që kërkoni të derdhni, do t’ju mbysë direkt juve, si në mendje ashtu dhe shpirt.

Na vjen shumë keq që, dy përfaqësues të besimeve të ndryshme fetare ishin aty, si babai i një teqeje, ashtu dhe një përfaqësues i kishës rajonale katolike. Sa keq që i përdorën në mënyrën më të pa besë. Turp për besimin dhe veshjen e tyre.

Harmonia fetare, nuk varet as nga Andoni dhe as nga Anastasi. Cdo përpjekje për përcarje në Elbasan dhe Shqipëri, do të ndëshkohet pa asnjë hezitim nga besimtarët e vërtetë shqiptarë por dhe nga ne si kishë. Anastas dhe Andon Janullatos Ju e keni përbaltur Atdheun tonë në çdo cep të botës, sepse dobësinë ekonomike dhe politike e keni trajtuar si pamundësi shtet bërje dhe besim bërje. Po ju themi, jeni të mbaruar. Mos ju afroni Atdheut dhe besimit ortodoks shqiptar, sepse zjarri i ferrit ju pret.

Ftoj të gjithë besimtarët ortodoksë dhe simpatizantë, historianët, politikanët, patriotët e vendit tim, të dëshmojnë në pashkët që po vijnë, forcën, besimin dhe dashurinë për historinë e ortodoksisë dhe Atdheut tonë. Le ti tregojmë Janullatosit dhe shërbëtorëve të tij tradhtarë, se sa e duam besimin dhe Atdheun tonë Shqipëri.

Këshilli i Kishës

At Nikolla Marku

Ben Blushi shpalos të vërtetën: Pse u ftua Fatos Nano në Kongresin e PS-së

Deputeti socialist, Ben Blushi foli në “5 Pyetje nga Babaramo” për Kongresin e PS-së dhe për votimin e referendumit.

Ai tha se pjesëmarrja nuk ishte më shumë se 40 % duke akuzuar Ramën se e ka manipuluar referendumin.

“Në atë referendum kanë votuar njerëz që nuk janë pjesë e PS-së. Pjesëmarrja nuk ishte as 40 %”, tha Blushi.

I pyetur për Fatos Nanon dhe ftesën që iu bë në Kongres, Blushi tha se Rama ishte aq i frikësuar nga ai, sa që i kërkoi Nanos që ti bëntë oponencë.

“Ai ishte aq i frikësuar nga unë sa i kërkoi Nanos që të vinte dhe të më hidhej kundër. Por Nano nuk mund ta bënte këtë gjë. Nano vetë shkeli statutin dhe lejoi garë me Ramën edhe pse s’ishte as anëtar i PS-së kur kërkonte të merrte drejtimin e saj”, tha Blushi.

Ben Blushi flet për kërcënimin e kandidatit për rektor nga Shullazi

Deputeti socialist ka folur në emisionin “5 Pyetje nga Babaramo” për kërcënimin që iu bë kandidatit për rektor në UT, Mynyr Konin nga Emiljano Shullazi.

“Unë nuk mund të them nëse ka sfond politik. Fakti që Policia ka vepruar dhe ka thirrur të dyshuarin do të thotë që diçka ka ndodhur. Është e kuptueshme se si krimi po hyn në Universitet ndërkohë që përpiqemi ta nxjerrim nga Parlamenti”, tha Blushi.

“Sidoqoftë, besoj që opinioni publik duhet të njihet me faktin nëse ka patur ose jo kërcënim dhe Policia duhet të zbardhë se pse një kriminel ndikon në një garë për rektorë të Universitetit publik. Çfarë interesash ka aty që ky person të ndërhyjë aty. Ministria duhet të reagonte të paktën”, vijoi Blushi.

Blushi: Dekriminalizimi dështoi, u bënë ndryshime që të shpëtonin disa

Deputeti socialist, Ben Blushi tha në emisionin “5 Pyetje nga Babaramo” se ligji për dekriminalizimin ka dështuar.

Ai tha se ndryshimet që iu bënë ligjit në fund u bënë me qëllimin që të mos kapë disa persona të caktuar.

“Ka katër muaj që është miratuar dhe ky ligj nuk po prek akoma askënd. Kjo është e padrejtë. Kur vjen puna te taksat, i vjelim para se të miratohet buxheti.

Po fusim njerëz në burg për 500 lekë, ndërkohë që dekriminalizimi nuk funksionon. Ai është ligj i personalizuar, po ashtu edhe reforma në drejtësi nuk ka për të bërë drejtësi”, tha Blushi.

Mynyr Koni rrëfen për herë të parë për presionin nga Shullazi

Kandidati për Rektor të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni ka folur për herë të parë për presionin e ushtruar ndaj tij për t’u tërhequr nga gara. Koni në një fjalim të gjatë të publikuar në Facebook, thotë se, “ngjarjet e javës së kaluar më detyrojnë që të kem një formë tjetër komunikimi me ju”.

“Unë kam qenë nën presion që të tërhiqem nga gara por falë mbështetjes së kolegëve, miqve dhe strukturave shtetërore, vazhdoj të jem në garë. Detaje nga kjo ngjarje janë jo produktive nëse do i ndaja me ju, për më tepër kur organet kompetente janë duke vepruar. Por një gjë duhet ta ndaj me ju: Kam qenë totalisht i papërgatitur që një ngjarje e tillë do të ndodhte në Universitetin e Tiranës dhe që unë bashkë me familjen time do të kalonim ditë të vështira thjesht sepse unë besoj që bashkë me ju UT-në mund ta zhvillojmë më shumë në mënyrë që studentët, pedagogët dhe shoqëria shqiptare të marrë maksimumin nga ky institucion”, shkruan Koni.

Statusi i Konit

Ka qenë një nder dhe mbi të gjitha kënaqësi e madhe për mua të prezantoj para jush kandidaturën time për të drejtuar në postin e Rektorit universitetin më të madh në vend, Universitetin e Tiranës.

Në letrën e drejtuar ndaj jush përpara tre javëve, jam munduar të shpreh rëndësinë që ka procesi zgjedhor jo vetëm për ata që janë në garë por për Universitetin e Tiranës si institucion dhe mesazhin që ai i transmeton shoqërisë në tërësi. Kam nënvizuar faktin që “zgjedhjet janë të universitetit për universitetin”, si dhe faktin që përfshirja e aktorëve të jashtëm e dëmtojnë këtë proces dhe rrjedhimisht edhe vetë Universitetin e Tiranës.

Sot kisha programuar që të ndaja me ju takimet e ndryshme të zhvilluara javën e fundit të fushatës por fatkeqësisht, siç ju tashmë jeni në dijeni, ngjarjet e javës së kaluar më detyrojnë që të kem një formë tjetër komunikimi me ju. Unë kam qenë nën presion që të tërhiqem nga gara por falë mbështetjes së kolegëve, miqve dhe strukturave shtetërore, vazhdoj të jem në garë. Detaje nga kjo ngjarje janë jo produktive nëse do i ndaja me ju, për më tepër kur organet kompetente janë duke vepruar. Por një gjë duhet ta ndaj me ju: Kam qenë totalisht i papërgatitur që një ngjarje e tillë do të ndodhte në Universitetin e Tiranës dhe që unë bashkë me familjen time do të kalonim ditë të vështira thjesht sepse unë besoj që bashkë me ju UT-në mund ta zhvillojmë më shumë në mënyrë që studentët, pedagogët dhe shoqëria shqiptare të marrë maksimumin nga ky institucion.

Gjatë javëve të fundit jam munduar që të zhvilloj një fushatë dinjitoze duke bashkëbiseduar me kolegë për të përmirësuar dhe pasuruar platformën e paraqitur në fillim të kësaj fushate. Asnjëherë nuk kam vepruar kundër procesit zgjedhor dhe interesave të këtij institucioni kaq të rëndësishëm për shoqërinë. Tentativat për prishjen e procesit zgjedhor apo hedhjen baltë mbi të, bëhen vetëm nga individë të verbuar nga epshet e tyre të pakuptueshme.

Pedagogët dhe studentët janë nga njerëzit më të lirë që ka shoqëria shqiptare dhe jam i bindur që gjithmonë ata vendosin bazuar në logjikën dhe dëshirën e tyre dhe kurrsesi jo në sajë të presioneve apo provokimeve që mund t’i bëhen. Nuk ka ofendim më të madh që na bëhet të gjithëve kur dikush i përshkruan pedagogët si qënie pa dinjetit të cilët votojnë dhe jetojnë nën presion. UT duhet të jetë një garanci solide suksesi në të ardhmen duke kontribuar pareshtur në një arsim cilësor që do të reflektohet në formimin e brezave të denjë të specialistëve më të mirë në vend. Besoj fort se tani më shumë se kurrë kam mundësi të sjell risi në këtë universitet. Vizioni dhe plani im për UT-në është i qartë dhe vij me shumë vullnet për ta implementuar atë me sukses.

Miqtë e mi, dëshira ime është që Universiteti i Tiranës të jetë vend i sigurt për një të ardhme të ndritshme akademike dhe profesionale, universiteti që është zëri juaj, mundëson mbështetje reale ndaj problemeve tuaja. Me përulje para jush ju kërkoj të më jepni mundësinë të punoj në postin e Rektorit të këtij universiteti.

I uroj suksese të gjithë kandidatëve të përfshirë në këto zgjedhje në poste të ndryshme drejtuese brenda UT-së.

Të nderuar kolegë, tashmë më shumë se kurrë duhet të bëhemi bashkë që mbyllja e këtij procesi të jetë dinjitoze, në lartësinë e duhur të institucionit ku ne të gjithë punojmë, për të treguar sëbashku vlerat reale që ka Universiteti i Tiranës, modelin dhe mesazhin që bota akademike duhet t’i japë shoqërisë në tërësi!

Edhe një herë gjej rastin për t’ju falenderuar për mbështetjen tuaj dhe besimin që më keni dhënë gjatë gjithë këtij procesi!

Miqësisht,

Prof. Dr. Mynyr Koni

PD një deklaratë qetësuese: Shullazi lirohet së shpejti

Deputeti demokrat, Astrit Patozi thotë se është e afërt dita kur Emiliano Shullazi do të lirohet për mungesë provash dhe policia me prokurorinë do të nxitojnë të fajësojnë njëra-tjetrën për dështimin e hetimeve.

“Natyrisht, unë as jam profet dhe as dua të bëj Kasandrën, por tek e fundit asgjë e keqe s’vjen prej fjalës sime. Qofsha i gabuar, por nuk e besoj dot të kundërtën.

Sepse gjithçka është rrjedhojë logjike e rrënimit dramatik të sistemit tonë, ku forca e pushtetit dhe pushteti i “të fortëve” i kanë zhdukur kufijtë prej vitesh. Madje shpesh herë, duket sikur janë e njëjta gjë, por e shprehur në trajta të ndryshme.

Dhe meqë kjo është një ngjarje e sigurt, unë vetëm një lutje kam që të mos na e shpifin më tej këtë histori. Që pasi kjo të ndodhë të mos dalë dikush pastaj e të na thotë se kjo është një arsye më shumë pse është e domosdoshme të votohet reforma në drejtësi.

Sepse kjo do të ishte e tepërt. Do të ishte njësoj me atë spotin e LSI-së, që u kërkonte shqiptarëve në fushatën e zgjedhjeve të fundit të mos e shisnin votën”, shkruan Patozi.

Ja pse krenohet Fatlinda Berisha Tahiri – gruaja e ministrit të Brendshëm

Bashkeshortja e Tahirit (E para në rradhë)

Mbyllet fushata për zgjedhjet në Universitete. Në kuadër të kësaj, Fatlinda Berisha Tahiri, gruaja e ministrit të Brendshëm, njëkohësisht pedagoge në Universitetin e Tiranës që nga viti 2008, shprehet krenare për këtë.

Zonja Tahiri ka përfituar nga rasti për të bërë edhe një “selfie” ndërsa shkruan :”Mbyllja e fushatës për zgjedhjet në Universitete! Krenare peër qytetarinë e treguar deri tani!!!!!”.

Rama tregon çfarë vizatoi mbi tubin gjigant (foto)

Kryeministri Edi Rama lë gjurmën e tij mbi tubin gjigand, teksa qe i pranishëm në mbërritjen e tubave gjigandë të gazsjellësit TAP.

Ai ka vizatuar një llampë.

“Sot në Durrës ku kanë mbërritur tubat gjigandë të gazsjellësit TAP që hyn në një fazë të re investimesh.

Në pak muaj pas nisjes së punimeve për rrugët e aksesit dhe urat në zonën ku kalon gazsjellësi, TAP-i është shndërruar në një prej motorëve kryesor të zhvillimit ekonomik dhe social të vendit. Janë mbyllur në masën 56% punimet e parashikuara për fazën e parë dhe brenda vitit do të përfundojë ndërtimi dhe rehabilitimi i plotë i mbi 100 km rrugë dhe i 43 urave. Investimi për këtë pjesë tejkalon vlerën e 60 milionë eurove dhe ka krijuar mbi 1000 vende të reja pune. Këto rrugë aksesi dhe këto ura në zonat rurale, kanë ndikuar drejtpërdrejtë në një rritje të nivelit të jetesës përmes rritjes së aktivitetit ekonomik të këtyre zonave përfituese dhe sidomos për fermerët e qarqeve të Korçës, Beratit, e Fierit, që tashmë kanë një akses shumë të lehtësuar për në tregjet bujqësore.

Faza e parë e punimeve ka dëshmuar se impakti i parë i TAP-it në ekonomi është edhe më pozitiv se parashikimet. Ndërkohë qeveria po negocion marrjen nga TAP të një përfitimi financiar direkt, të cilin të gjitha vendet e tjera përveç Shqipërisë e kanë marrë. (Sepse vetëkuptohet që në Shqipëri, deri në ardhjen e kësaj qeverie, askush s’e kishte vënë ujin në zjarr për të nënshkruar me TAP-in një kontratë dinjitoze me një përfitim për vendin, thjesht simetrik me atë të vendeve të tjera!)’’, shkruan ai.

ediramavizatim2

Shqipëria fillon përgatitjen e samitit të diasporës shqiptare

Përpara një samiti madhor që do të mbledhë shqiptarë nga 50 vende të botës, debati ende vazhdon për mënyrat më të mira që Shqipëria të tërheqë talentet e emigrantëve të vet.

Përpara një samiti madhor të komuniteteve shqiptare në diasporë kudo në botë, Shqipëria po peshon mënyrat më të mira për të shfrytëzuar diasporën e vet të madhe.

Në nëntor 2016, për herë të parë, qeveria planifikon të mbajë samitin e parë të diasporës, për të shënuar gjithashtu 25-vjetorin e emigrimit post-komunist.

Kryeministri, Edi Rama, tha në një takim me shqiptarët në Nju Jork të hënën e shkuar se samiti do të hapë një kapitull të ri për vendin.

“Samiti i nëntorit do të jetë çasti kur ne do të tregojmë kush jemi, çfarë mund të bëjmë dhe se kemi mjaftueshëm eksperiencë për të bërë edhe më shumë,” tha Rama.

Samiti do të mbledhë shqiptarë nga 50 vendet e botës, përfshirë emigratë para dhe pas komunizmit.

Organizatat e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit e kanë pritur prej kohësh krijimin e një ministrie për diasporën dhe kërkesa e tyre mbështetet nga presidenti shqiptar, Bujar Nishani.

Partia për Drejtësi dhe Integrim, PDIU, që përfaqëson komunitetin çam dhe është pjesë e koalicionit qeverisës të drejtuar nga Rama, gjithashtu e konsideron të rëndësishëm krijimin e një ministrie.

Çamët janë shqiptarë etnikë të dëbuar nga veriu i Greqisë në fund të Luftës së Dytë Botërore.

Marselino Troshani, kryetar i forumit të shoqatave shqiptare në Emilia Romana, Itali, FARE, i tha BIRN se shqiptarët në Itali kishin dorëzuar një kërkesë formale në parlamentin shqiptar për krijimin e një ministrie.

“Ministria do të ndihmojë në votimin e emigrantëve në zgjedhje dhe gjithashtu do të ndihmojë në promovimin e vendit jashtë kufijve shqiptarë,” tha ai duke cituar ministrinë kosovare të diasporës si një model.

Por jo të gjithë përfaqësuesit e diasporës shqiptare mbështesin idenë e një ministrie. Ish-drejtori i këshillit kombëtar shqiptaro-amerikan, Avni Mustafaj, i tha BIRN se fuqizimi i ambasadave të vendit do të ishte mënyra më e mirë për të tërhequr talentet e diasporës.

Ai bie dakord se bashkimi i anëtarëve të diasporës shqiptare nga e gjithë bota është një ide e shkëlqyer, pasi shumë prej tyre kanë arsimi, aftësitë dhe eksperiencën e duhur për të ndihmuar atdheun.

“Nuk bie dakord me një ministri të diasporës, por jam pro fuqizimit të ambasadave, në mënyrë që të bëhen më aktive me komunitetet shqiptare në vendet e tyre,” tha ai.

“Koordinimi i kësaj duhet të bëhet nga ministria e jashtme. I druhem strukturave paralele brenda ministrive,” tha Mustafaj. /Reporter.al/

Ja si përfundoi Shullazi në pranga: i vuri gjobë edhe një biznesmeni amerikan

Detaje të reja dalin në dritë në lidhje me Emiljano Shullazin dhe grupit të tij me dy shokë përmes të cilëve kërcënonte dhe u vinte gjoba biznesmenëve.

Burime pranë grupit hetimor kanë bërë të ditur për “Panorama.al” se njëri nga biznesmenët që Shullazi i ka vënë gjobë, është një shtetas amerikan që merret me biznes në Shqipëri.

Emiljano Shullazi së bashku me Blerim Shullazin dhe Gilmando Dani akuzohen për “shtrëngim dhe dhënie pasurie” dhe “shkatërrim prone me eksploziv”.

Në njoftimin e ditës së dielë, Policia e Tiranës njoftonte zyrtarisht se përveç biznesmenit A.Z, kishte edhe persona të tjerë që ishin kërcënuar dhe u ishte vendosur gjobë nga Shullazi dhe shokët e tij.

Një burim nga Prokuroria tha për “Panorama.al” se në total janë gjashtë raste kërcënimesh e gjobëvëniesh që po hetohen.

“Panorama.al” mëson gjithashtu se gjobvënia ndaj një shtetasi amerikan ishte gjithashtu arsyeja që para disa kohësh, në një deklaratë para mediave, ambasadori amerikan Donald Lu përmendi Emiljano Shullazin si një person që lëviz i lirë pa u kapur nga policia.

Tropojë, gjenden eshtrat e një mashkulli dhe një femre në një zonë pyjesh

TROPOJE –Trupat e pajetë të një mashkulli dhe një femre janë gjetur mesditën e sotme në një zonë të pyllëzuar në Tropojë. Policia e Shtetit bëri të ditur se kufomat e dekompozuara u gjeten në afërsi të vendit të quajtur “Roga e Karmes”, në afërsi të fshatit Mejdan një zonë rreth 100 metra larg rrugës nacionale.

Vdekja e tyre mendohet të ketë ndodhur shumë kohë më parë, për shkak se Policia ka gjetur vetëm skeletet trupore, ndërkohë që nga këqyrja e vendit të ngjarjes nuk janë vërejtur dëmtime në kostumet sportive që dy viktimat mbanin të veshur në momentin kur ka ndodhur vdekja.
Në kushtet e dekompozimit total grupi hetimor, por dhe banorë të zonës e kanë pasur të pamundur identifikimin.

Policia bëri të ditur se provat e gjetura ne vendin e ngjarjes u dërguan për ekzaminim të mëtejshëm me qëllim identifikimin e viktimave dhe shkakun e vdekjes se tyre.
Në zonën ku ka ndodhur ngjarje nuk kishte asnjë denoncim për persona të humbur, çfarë ngjall dyshimet se trupat e skeletosur mund t’i përkasin turistëve që kanë vizituar zonën në sezonin e shkuar turistik.

Arrestohet Emiljano Shullazi – ja akuzat që rëndojnë mbi të

Në pranga edhe kushëriri dhe shoku i tij

TIRANE – Fill pas akuzave që bëri publike ish-kryeministri Sali Berisha se ai kishte kërcënuar dekanin e Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Mynyr Konin, policia ka arrestuar Emiljano Shullazin në orët e mbrëmjes së djeshme. Arrestimi i Shullazit është bërë te ‘Rruga e Kavajës’, bashkë shokun e tij  Gilmando Dani dhe kushëririn Blerim Shullazi.

Prokuroria e Krimeve të Rënda urdhëroi arrestimin e Emiljano dhe Blerim Shullazit dhe Danit, si të dyshuar për për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, “Shkatërrim i pronës me eksploziv”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Grup i strukturuar kriminal”.

Burime nga organi i akuzës bënë të ditur se arrestimi i Shullazit ka ardhur pas muajve të tërë survejimi nga ana e policisë.

Pas komunikimit të arrestit, dosja hetimore është marrë në administrim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila pritet të marrë në pyetje Emijano Shullazin.

NJOFTIMI I POLCISE
Burime zyrtare nga policia bëjnë të ditur se është ekzekutuar urdhri i ndalimit i Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë për ndalimin e tre shtetasve për veprën penale të “Shkatërrimit të pronës me eksploziv”, ndaj shtetasit A. Z., me qëllim kanosjen e tij për fitimin e pasurisë në mënyrë të padrejtë.

Më datë 17.04.2016, në orën 01:30, u bë ndalimi i shtetasve:
• Emiljano Shullazi, 38 vjeç, banues në Tiranë.
• Gilmando Dani, 38 vjeç, banues në Tiranë.
• Blerim Shullazi, 32 vjeç, banues në Krujë.

Ndalimi i këtyre shtetasve është bërë sepse në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me persona të tjerë në kohë dhe qytete të ndryshme, kanë shtrënguar nëpërmjet kanosjes për dhënien e pasurisë në mënyrë të padrejtë biznesmenë të ndryshëm.

Prokuroria për Krimet e Rënda Tiranë, për tre shtetasit e sipërpërmendur, ka regjistruar një sërë procedimesh penale për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, “Shkatërrim i pronës me eksploziv”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Grup i strukturuar kriminal”, parashikuar nga Nenet 109/b, 152, 278/4, 283/a dhe 333/a Kodit Penal.

AKUZAT E BERISHES
Gjatë ditës së djeshme, ish-kryeministri Sali Berisha denoncoi publikisht para mediave se Shullazi kishte kërcënuar Mynyr Konin që të hiqte dorë nga gara për rektor të Universitetit të Tiranës, në të kundërt do t’i merrte peng djalin.

Rrahu policin – arrestohet nipi i Tom Doshit, policia e mbante të fshehtë

Detaje të tjera zbulohen nga rrahja e policit rrugor ditën e djeshme në Tiranë nga i riu Emiliano Mrishaj banues në Shkodër.

Sipas burimeve të “Panoramës”, Emiliano Mrishaj, 27 vjeç është djali i motrës së deputetit Tom Doshi. Mrishaj goditi me grushte një efektiv të Policisë rrugore në mes të bulevardit “Gjergj Fishta”, pasi ky e ndaloi.

Mrishaj rezulton që të jetë ndaluar edhe në Australi disa kohë më parë, përkatësisht në Melburn së bashku me një shok. Ai u ndalua pasi në një çantë kishte 123 mijë dollarë të padeklaruara. Por gjykata dënoi shokun e tij, Ledio Leshajn me pesë muaj burg, ndërsa Mrishaj u dënua si bashkëpunëtor, pasi lëvizte me kartë italiane false.

Policia u mundua të fshehë ngjarjen

Sa i përket ngjarjes së fundit ku 27 vjeçari u përfshi, policia është munduar fillimisht ta mbajë të fshehtë. Ndonëse konflikti kishte ndodhur që mbrëmjen e djeshme, ai u bë ditur vetëm mesditën e sotme.

Ishte komenti i gazetarit Dashamir Biçaku që u përhap fillimisht në portale, se nipërit e një deputeti kishin rrahur një oficer policie.

“Nipërit e një deputeti rrahën mbrëmë një oficer policie si të qe një fëmijë 5 vjeç. Po prisja që sot mediat ta kishin lajm të rëndësishëm… por më duket se paskan qenë duke bërë shaka djemtë me oficerin e policisë”, shkruan Biçaku.

Ndërkohë që policia njoftoi më vonë për ngjarjen.

“Tiranë. Më datë 16.04.2016, në Bulevardin “Gjergj Fishta”, është goditur punonjësi i Policisë Rrugore, shtetasi G. B. Menjëherë është bërë  arrestimi në flagrancë i shtetasit: * Emiliano Mrishaj, 27 vjeç, banues në Shkodër. Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi, ka goditur me grushta, për shkak të detyrës, shtetasin G. B., 35 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë Specialist I menaxhimit të trafikut urbanë pranë Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë. Materialet proçeduriale ju kaluan  Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale të “Goditje për shkak të detyrës” parashikuar nga neni 236 i Kodit Penal”, thuhej në njoftimin e policisë.

Kinezët marrin nën kontroll fluturimet në Shqipëri – Shitet koncesioni i aeroportit të Rinasit

Konçensioni i Rinasit i është shitur për rreth 90 milionë dollarë kompanisë kineze “Everbright Global Airport and Investment Fund”. Burime jozyrtare konfirmojnë për TCH se është firmosur shitja e aeroportit mes kompanisë kineze dhe konçensionarit TIA.

“Everbright Global Airport and Investment Fund” është pjesë e kompanisë “China Everbright”, e mbështetur nga shteti kinez dhe e specializuar në menaxhim asetesh me një portofol të gjerë investimesh.

Kompania ka ngritur një fond të fokusuar në investime në sektorin e aviacionit, porte dhe  infrastrukturë europiane. Në një intervistë për “Hong Kong Economic Journal”, drejtori ekzekutiv i “China Everbright” pat deklaruar se objektiv i kompanisë është të zhvillojë në to pjesën logjistike të transportit ajror të mallrave.

Ndërsa vetë drejtori ekzekutiv i TIA-s, Rolf Castro-Vasquez kur pranoi interesimin kinez, tha se shitja synon zhvillimin e mëtejshëm të infrastrukturës së aeroportit.  Megjithatë, zyrtarisht TIA thotë se negociatat vazhdojnë dhe kalojnë në disa faza. Në rast se përmbyllen me sukses të gjitha këto faza, lajmi do të bëhet i ditur publikisht pas këtij momenti.

“Detaje të mëtejshme preferojmë që të mos jepen, në respekt të këtyre negociatave dhe sidomos informacionit të saktë që TIA çmon se opinioni publik duhet të ketë”, thotë e kontaktuar nga Top Channel, drejtorja e Komunikimit e aeroportit, Arlinda Çausholli.

Ngjela: Rama përfitoi nga neveria amerikane për Berishën, prandaj e pritën në Uashington

 “Neverine që ka politika amerikane për Berishën, e përfitoi Rama si protokoll, nderime dhe si pritje e politikës së lartë amerikane”.

Kështu shkruan avokat Spartak Ngjela, duke analizuar vizitën e Ramës në Uashington dhe pritjen e zhvilluar me presidentin amerikan Obama dhe zyrtarë të tjerë të lartë atje.

Postim i Ngjelës

Vizita e Kryeministrit shqiptar në Uashington:
Ishte një meritë e tij si figurë politike?
Ishte shenjë për rëndësinë e Shqipërisë në politikën botërore?
Apo – mos ishte dhe diçka tjetër?
Sigurisht që Shqipëria sot eshte pikë qendrore në politikën amerikane dhe gjermane në Ballkan. Por, edhe e penguar nga politika zyrtare shqiptare, kundër interesit shqiptar.
Kjo eshte arsyeja e gjërave – pengesa e kësaj politike në Tirane. Dhe këtë, sigurisht që e përfitoi Rama.
E thënë shkurt: neverine që ka politika amerikane për Berishën, e përfitoi Rama si protokoll, nderime dhe si pritje e politikës së lartë amerikane.
Por, vetëm të djathtët nuk duan ta kuptojnë këtë në Shqiperi, dhe mbeten peng i gravitacionit oriental Berisha.
Nuk e kuptojnë, se nuk e duan progresin perëndimor, edhe një grup otomanësh që e shohin Saliun si shpresë osmane në Shqipëri.
Gjithsesi, ky eshte realiteti. Berisha konsiderohet sot ende si pengesë në progresin perëndimor të Ballkanit, dhe, këtë fakt, e përfitoi Rama keto dite në Uashington.
Por, a do ta heqë këtë pengese antiprogres Rama? Sigurisht, kjo mbetet për t’u parë. Por politika amerikane e përkrahu pikërisht për këtë. Këtu do jemi… politika vazhdon.

Kufiri detar me Greqinë – pa ekspertizë nuk ka negociata

Qeveria shqiptare nuk do të zhvillojë asnjë negociatë me palën greke për marrëveshjen e kufirit detar pa pasur më parë ekspertizën e duhur shumë planëshe.

Duke folur për Report TV drejtori i Traktateve në Ministrinë e Jashtme, Armand Skapi deklaroi se marrëveshja e vitit 2009 tregoi sesa delikate është kjo çështje dhe për këtë arsye një marrëveshje e re mes dy vendeve do të kërkojë kohë.

“Ajo që ndodhi me marrëveshjen e detit na ka bërë që marrëveshje të tilla kërkojnë një ekspertizë mjaft të plotë si vëndase dhe po qe nevoja dhe ndërkombëtare. Pala shqiptare për sa kohë që nuk ka hyrë në negociata i rikthehet vendimit të Gjykatës Kushtetuese, studion praktikën ndërkombëtare me synimin që çdo negociatë që do të zhvillohet të bazohet në ekspertizë mjaft të saktë dhe të realizohen sa më mirë interesat e shtetit shqiptar. Eshtë duke përgatitur le të themi disa detyra shtëpie që ne do ti kemi të qarta për një negociatë të mundshme me palën greke për të përcaktuar ato vija të kuqe” -tha drejtori.

Zyrtari i ministrisë së Jashtme ka konfirmuar se as më Malin e Zi nuk ka negociata për ndarjen e kufirit detar në Adriatik për shkak se palët nuk janë gati.

“E besojmë se si në rastin e Greqisë ashtu dhe në rastin e Malit të Zi pala shqiptarë do të ketë ekspertizën e nevojshme, është duke mbledhur ekspertizën e nevojshme, janë bërë analizat e duhura por ende nuk kanë filluar negociatat”,-tha Skapi

Radiot fetare në Shqipëri – AMA vendos të kontrollojë se kush i financon

Për herë të parë, Autoriteti i Mediave Audiovizive ka vendosur të godasë një nga pikat më kyçe dhe të errëta të mediave në Shqipëri, që ka të bëjë pikërisht me financimin e tyre. Deri sot, misteri i financimit të mediave ka qenë i paprekshëm. Por, AMA do të kërkojë informacion vetëm për burimet e financimit të radiove me karakter fetar në Shqipëri, duke lënë jashtë këtij procesi televionet dhe mediat e tjera.

AMA ka vendosur të kufizohet tek radiot fetare, ndërsa ka përjashtuar nga objekti i vendimit televizionet, që janë edhe burimi kryesor i qarkullimit të parave të pacertifikuara. Mungesa e gjithëpërfshirjes e bën nismën të mangët dhe të debatueshme. Ndërkaq, sipas vendimit, AMA nuk përfshihet drejtpërdrejt në proces hetimi, por do të kërkojë informacion nga Komiteti Shtetëror i Kulteve, Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit dhe Pastrimit të Parave, Shërbimi Informativ Shtetëror dhe Policia e Shtetit. Pra, Autoriteti i Mediave Audiovizive, në bazë të formacionit të mbledhur, do të administrojë një dosje mbi burimet e financimit të radiove me karakter fetar në Shqipëri, si kusht për dhënin e licencës së transmetimit. /Shqiptarja.com

Shtetasi i Shqipërisë me dokumente falso tenton të hyjë në BE nga aeroporti i Prishtinës

Një shtetasi i Shqipërisë ka tentuar që me dokumente të falsifikuara të fluturojë nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës.

Rasti është shënuar dje, rreth orës 08:10, njofton Policia e Kosovës. «Është arrestuar i dyshuari mashkull shtetas i Shqipërisë, pasi ka tentuar të udhëtojë me një dokument që dyshohet të jetë i falsifikuar. Me vendim të prokurorit, i dyshuari, pas arrestimit, është dërguar në paraburgim», raporton Policia e Kosovës.

Eksodi1999 – Nishani dekoron qytetin e Kukësit me “Nderi i Kombit”

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i ka dhënë dekoratën e lartë “Nderi i Kombit” për qytetin e Kukësit dhe kuksianët, për kontributin e dhënë për shqiptarët e Kosovës gjatë eksodit dhe luftës së vitit 1999.

Kreu i shtetit e cilëson unike dhe të papërsëritshme pritjen që kuksianët u bënë kosovarëve.

“Mikpritja është pasuria që trashëguan shqiptarët. Ju sfiduat edhe skeptikët e kohës, meritoni të viheni në piedestal”- iu drejtua presidenti, kuksianëve.

Medalja është dhënë me motivacionin: “Për solidaritetin, mikpritjen e rrallë dhe humanizmin e pashoq të treguar ndaj motrave e vëllezërve shqiptarë nga Kosova, gjatë shpërnguljes se tyre masive me dhunë nga makineria ushtarake e Millosheviçit në vitin 1999”.

bujar-nishani-mdelja-3

bujar-nishani-mdelja-2-1

Diktatori Enver Hoxha vijon të jetë “Hero i Popullit”, “Hero i Punës Socialiste”….

 

Voal – Gradat dhe Dekoratat e Enver Hoxhës?

Diktatori Hoxha vijon të mbajë dekoratat edhe titujt, paçka se thuhet se kemi çerek shekulli që kemi rrëzuar diktaturën, ndërsa diktatori vijon të mbetet Hero i Popullit, i këtij populli që e shtypi me grushtin e hekurt të diktaturës të proletarialit, të luftës të klasave, që nxiti vëllavrasjen, që ia vrau elitën, të këtij populli që e burgosi, internoi, që ia persekutoi familjet shqiptare, që e depersonalizoi kombin, që i la fëmijët e të përndjekurve pa shkolla, që i shpronësoi pronarët, që i eleminoi bashkëpunëtorët, që nuk la gjë pa bërë dhe ende vijon të mbajë titujt, gradat e dekoratat.

Ja disa nga dekoratat që mban ende diktatori:

“Heroi i Popullit”,
“Heroi i Punes Socialiste”,
“Ylli Partizan” nga Jugosllavia
“Heroi i Popujve te Jugosllavise”, në vitin 1946
“Heroi i Popujve te Bashkimit Sovjetik”, Suvorov

Enver Hoxha nuk është i vetmi anëtar i lartë i ish-Byrosë Politike që i ka ende ligjërisht gradat dhe dekorimet. Zyrtarisht, dekoratat dhe medaljet e arta të akorduara në emër të shtetit shqiptar i kanë ligjërisht edhe shtetas të huaj, madje edhe persona të tillë si ish-gjeneralë të Titos.

Kur të shfuqizohen këto dekorata, atëherë do të fillojë demokratizimi i parlamentit dhe shtetit shqiptar.

Por pyetja është se kur do të ndodhë kjo ?!

Mesila Doda: Më kërcënuan komunistët për dekoratat, por aq na bën

Voal –  “Këshilli i legjislacionit ka 5 vite pa u mbledhur se kanë frikë të heqin dekoratat kriminelëve. Duhet të kemi ndërgjegje politike, t’i heqim këta tituj njerëzve që bënë krime”

Deputetja e PDIU-së, Mesila Doda ka kërkuar sërish nga Kuvendi shqyrtimin e propozimit për heqjen e dekoratave të kriminelëve të komunizmit. Në fjalën e saj në Kuvend, Doda ka theksuar se e ka marrë këtë nismë bashkë me nënkryetarin e Kuvendit, Shpëtim Idrizi, jo vetëm si deputetë, por edhe si studentë dhjetori. Ajo i ka bërë thirrje kolegëve të saj deputetë të Komisionit Parlamentar të Sigurisë të nisë shqyrtimin e këtij projekt-ligji. Doda ka hedhur dyshime për refuzimin e shqyrtimit të këtij propozimi, kryesisht nga Komisioni i Ligjeve.

“Keni lënë gjithë iniciativat përgjysëm. Dosjet nuk po hapen. Keni harruar ligjin e dekoratave. Kam kërkuar nga kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, të nisë hetimin parlamentar si të nevojshëm për çështjen e ligjit të dekoratave. Ose Flamur Noka gënjen, ose Spartak Braho ka fallsifikuar vendimin e Komisionit për dekoratat. Komunistët na kanë kërcënuar. Më kanë çuar mesazhe se më shpallin kolaboracioniste dhe se do dënohemi me gur në qafë në lumë si në Francë. Si t’u drejtohem të gjithëve? Jeni llum i kësaj shoqërie, jeni pjesa më e keqe e krimit. Nuk do ndalemi në kauzën tonë, ashtu si PD ka harruar të vetën, arsyen për shkak të së cilës u krijua. Ne do e vazhdojmë si studentë dhjetori.”

Mesila Doda nuk e kurseu as opozitën, tek tha se u formua mbi këtë kauzë dhe sot nuk guxon të pipëtijë që të heqë dekoratën “Heroi i Popullit” për Enver Hoxhën.

Ajo tha se nuk do të tërhiqet nga kjo betejë, megjithëse theksoi se është kërcënuar nga komunistët për ndëshkim për shkak të kësaj nisme.

Fjala e plotë e deputetes së PDIU-së, Mesila Doda mbajtur dje, më 14 Prill 2016, në Kuvend

E nderuar kryesuese e seancës,

të nderuar kolegë besoj që është nga rastet jo të shpeshta që ky Parlament merr në shqyrtim një ligj, të cilin sapo e ka miratuar dhe që brenda pak javësh detyrohet që ta rishohë. Pse ka ndodhur? Sigurisht që ligji që ka lidhje me atë që rëndom quhet dekriminalizim është një ligj, i cili hyri në mënyrë të sforcuar në Kuvendin e Shqipërisë. Hyri në një mënyrë të sforcuar, sepse unë mendoj se në asnjë parlament të botës administratat e larta duhet t’i nënshtrohen një ligji të tillë, duke menduar që ofiqarët kanë një staturë të caktuar dhe një background moral por edhe etikë njerëzore të formimit të tyre, i cili është krejt i veçantë dhe nuk duhet të mendohet të ketë probleme të tilla, problematika që kanë të bëjnë me pengesa penale, trafiqe apo krime të së kaluarës. E megjithatë, ky hyri dhe deri më sot pothuajse nuk kemi patur asnjë pasojë, asnjë rezultat të implementimit të këtij ligji dhe nuk është diçka e re. Kjo nuk është diçka që ndodh vetëm sot, ka ndodhur me disa ligje, ndaj ky Parlament duhet të jetë më koshient dhe duhet të jetë më i vërtetë në veprimtarinë e tij ose miraton një ligj dhe e zbaton, ose nuk futet për ta miratuar atë ligj. Po me të njëjtin standard, do të doja t’iu kujtoja që ky Parlament përpara rreth një viti, ka miratuar një ligj që ka të bëjë me hapjen e dosjeve, është një ligj që erdhi si pasojë e një iniciative që ne ndërmorrëm asokohe që kishte lidhje jo vetëm me hapjen e dosjeve, por edhe me largimin e zyrtarëve të inkriminuar. Nuk u pranua, sepse u mendua që do të ishte një ligj shumë ekstremist, i cili do të mundte të shkonte në largimin e personave të inkriminuar, ndaj paralelisht me të, ashtu siç ka ndodhur dhe herë tjetër, kryeministri depozitoi në emër të qeverisë një ligj që kishte të bëntë me hapjen e dosjeve. Sot, po bëhet rreth një vit e gjysëm qysh me fillimin e dorëzimit të këtij projektligji , rreth një vit qysh kur u miratua ligji siç e donte kryeministri dhe qeveria dhe deri më sot nuk është miratuar as komisioni që do i hapë këto dosje, as ka filluar një veprimtari, e cila do mund të fliste për një akt normal, për një akt real, ashtu siç u zotua kjo shumicë që do të mund të bënte. Besoj se kjo nuk është hera e pare, por kanë ndodhur edhe disa hapa të tjerë, qysh nga ai moment. Unë së bashku me zotin Idrizi depozituam një amendament që kishte të bënte me dekomunistizimin, duke u nisur nga një logjikë e thjeshtë, nuk mund të kërkojmë dot dënimin e krimeve të reja të trafiqeve e veprave të tjera penale, në qoftë se nuk i drejtohemi të kaluarës së këtij vendi. Akti i pandëshkueshmërisë, nuk nis sot, ai nis qysh në vitin 1991, qysh me fillimin e shtetit të tranzicionit shqiptar, ndaj nëse nuk do mund të ndëshkonim atë pikë të historisë, do ishte e vështirë që të kishim pasoja pozitive për aktet e tjera të mëvonshme. Në një farë mënyre, krimi mori amnisti qysh në vitet e para të tranzicionit , e mori krimi politik i asokohe, por edhe krimi penal i kohës. Kujtojmë që vrasjet e mëdha, krimet e mëdha nuk morën asnjëherë një shpjegim, një drejtim, një dënim. Në vitin ‘91 në asnjë lloj mënyre nuk u pranua nga spektri politik që të dënohej ajo periudhë, si një periudhë që i kishte hequr normalitetin, por edhe të ardhmen Kombit Shqiptar, por edhe aktet e pandëshkueshmërisë dhe krimet vazhdojnë të tërhiqen zvarrë deri në ditët e sotme.

Cili është shqetësimi im i sotëm?
Arsyeja pse marr fjalën sot në këtë seancë dhe që kërkoj një shpjegim, sepse kam bërë dhe disa akte të tjera më parë. I jam drejtuar publikisht Komisionit të Sigurisë, i jam drejtuar publikisht kryetarit të Kuvendit, zotit Meta dhe i drejtohem publikisht kolegëve të mi deputetë, anëtarë të Komisionit të Sigurisë. Më datën 18 dhjetor ne kemi depozituar një nisëm që kishte të bënte “Për disa shtesa në ligjin për dekoratat dhe titujt e nderit” së bashku me kolegun tim zotin Shpëtim Idrizi, jo vetëm si përfaqësues të një force politike të PDIU-së, por edhe si ish-studentë të Dhjetorit, një titull i cili nuk është normal, i cili nuk është zyrtar, por për të cilin unë jam shumë krenare që kam qenë pjesë e asaj plejade njerëzish që kanë bërë të mundur ndryshimin e një sistemi. Fill pas zyrtarizimit dhe deklarimit publik të kësaj nisme, kryeministri që për herë të parë firmosi si deputet në fakt, së bashku me deputetin Taulant Balla sollën një nisëm paralele, e cila ka ndryshimet e saj por në thelb ka të bëjë sërish me ligjin e heqjes së dekoratave.

Sot bëhen rreth 4 muaj, nuk është bërë asgjë për këtë nisëm që depozitoi kryeministri, por është bërë diçka që shkon përtej çdo procesi normal për trajtimin e një ligji, për ligjin e depozituar nga unë dhe zoti Idrizi, meqënëse kishin objekt të njëjtë, gjëja më natyrale do të ishte që të trajtoheshin bashkë me nismën e kryeministrit. Jo! Janë ndarë veç në Komisionin e Sigurisë, janë ndarë veç dhe janë çuar në Këshillin e Legjislacionit duke u trajtuar si një nismë, e cila ka një background antikushtetues. Më së pari antikushtetutshmërinë apo jo duhet ta vendosë një komision tjetër dhe ky komision si komision përgjegjës duhet t’ia kishte kaluar Komisionit të Ligjeve, i cili nuk e di përse sot nuk pranon ta marrë në shqyrtim ligjin e “Heqjes se dekoratave”. Mund të kërkonte marrje mendimi, si komision për dhënie opinioni nga Komisioni i Sigurisë dhe ai i Çështjeve Sociale, por nuk kishte asnjë arsye përse të mos kalonte qysh në fillim, por të zvarritej pafundësisht.

Nga ana tjetër Këshilli i Legjislacionit ka 5 vjet pa u mbledhur. Imagjinoni 5 vite pa u mbledhur dhe i bie të mblidhet tani, sepse është frika që t’i heqim teneqet, t’i heqim dekoratat personave, të cilët kanë të kaluar kriminale në të shkuarën e tyre politike. Kush është problemi që t’i hiqet xhelatit dekorata? Sami Repishti, i cili e thotë, e deklaron dhe e denoncon në vetë të parë aktin kriminal të xhelatit të tij.

Pse ky Parlament para 6 muajsh ishte i shqetësuar, kurse sot është krejtësisht në heshtje? Thuajse të gjithë keni rënë duke fjetur, kur e mendoni se çfarë nderimi i është bërë të kaluarës kriminale të këtij vendi. A keni ndopak, ndonjë fije ndërgjegje politike të gjithë ju që jeni këtu? E pra, nëse do të duhet që të ishte, që të ishim të vërtetë në të gjitha nismat tona sot ky Kuvend duhet të ishte në këmbë dhe duhet të kërkonte heqje të të gjitha nderimeve për personat, të cilët kanë marrë në mënyrë të padrejtë, sepse kanë në veprimtarinë e tyre akte të jashtëzakonshme të krimit.

Nga ana e Komisionit të Sigurisë ka shkuar në Këshillin Legjislativ vetëm për mendim. Zoti Noka ka rideklaruar se ne e kemi kërkuar që të shkojë vetëm në Komisionin e Ligjeve. Unë i kërkoj kryetarit të Parlamentit të Shqipërisë që të nisë një procedurë hetimore a ka gënjyer Flamur Noka apo ka fallsifikuar procesverbalin Spartak Braho? Ky Parlament nuk mund të heshtë mbi fakte dhe procedura, të cilat bëhen dhe çbëhen brenda ditës. Janë shkresa të firmosura, janë përgjegjësi, janë deklarata të personave politikë brenda këtyre komisioneve dhe ne sot duhet të dimë të vërtetën.

A është e djathta për t’i hequr dekoratat xhelatëve? A është e majta që ka depozituar ndërkohë një projektligj të tillë shumë të ngjashëm për t’i hequr dekoratat xhelatëve? Nuk është çështje për të marrë bonuse politike ne dhe kjo për arsyen e thjeshtë se shumica e këtyre njerëzve nuk janë sot për këtë botë. Pak a shumë ju e keni kuptuar që kjo nuk është një çështje ku ne mund të luajmë politikisht, por është një akt moral për këtë Kuvend.

Është një akt moral nga ne të nisim të fillojmë të punojmë nga ku duhet të ringrihet godina morale e këtij vendi, nuk mund të vazhdojmë më me sherrnaja idiote, me fjalë boshe, me fyerje dhe të mos mund të bëjmë dot dy akte, të cilat janë akte që do rinisin normalitetin dhe moralitetin në këtë institucion ku jemi sot. Unë besoj që një transparencë e tillë është e nevojshme jo vetëm duke ju përgjigjur kërkesës time zyrtare ndaj kryetarit të Kuvendit, por dhe duke kërkuar që brenda kolegëve të ketë një normalitet në mënyrën se si funksionojmë.

Unë vazhdoj të mendoj që ne nuk kemi pasur as fatin që kanë pasur vendet e tjera të Lindjes, në Rumani të paktën, të paktën pati një dënim politik. Pati një Komision Hetimor, i cili u mblodh dhe e dënoi në mënyrë politike regjimin e kaluar. Këtu ka patur disa rezoluta, nuk ka marrë pjesë e majta, ka marrë pjesë një pjesë e së djathtës e megjithatë iniciativat nuk kanë shkuar kurrë deri në fund.

Sot, ne të gjithë bashkë duhet të fillojmë të mendojmë për atë që Sami Repishti e thotë dhe në fakt është dhimbja e një klase të madhe njerëzish. Ai deklaroi që në të gjithë Lindjen të paktën personat e dënuar nuk i patën para syve xhelatët, në Shqipëri kjo nuk ndodhi, në Shqipëri i patën përpara syve xhelatët, i nderuan xhelatët, i morën dhe i vunë në një pjedestal. Dhe, sot zotërinj, ende Enver Hoxha, krimineli i këtij vendi mban titullin “Hero i Popullit”. Jua them në sy, sepse për herë të parë pas kaq vitesh politike kam marrë kërcënime të drejtëpërdrejta nga të gjithë grupet komuniste, postkomuniste, ekstrakomuniste, duke më deklaruar se do më ndëshkojnë si kolaboracionistët në Francë. Vazhdoj t’ju them që sot ndiheni të gjallë, pasi po ju shoh që jeni ditë për ditë në gazeta, media, po dëgjojmë historitë rozë të Enver Hoxhës, sa i përkushtuar ishte ai, Hysni Kapos, Mehmet Shehut.

Vazhdoj t’iu them që jeni pjesa më llum e kësaj shoqërie. Ju e keni privuar këtë vend nga një e kaluar normale që sot do të sillte një të ardhme tjetër. Ju jeni krimi kurrë i pandëshkuar në këtë vend dhe nuk më intereson asnjë nga ato që ju mendoni që mund të na stepin në këtë rrugë që ne kemi ndërmarrë. Ky vend do të duhet të ndahet një herë e mirë nga e kaluara. Në qoftë se disa forca politike që u krijuan me këtë kredo e kanë lënë në mes të rrugës ne nuk do ta lëmë në mes të rrugës.

Ben Blushi prezanton nesër lëvizjen “Shqipëria mbi Partinë”

TIRANE- Deputeti kontrovers i Partisë Socialiste do të nisë që nesër një tur takimesh nëpër Shqipëri për të shprehur idetë dhe pikëpamjet e tij, të cilat pritet të formësohen brenda një lëvizjeje të re brenda partisë

Takimi i parë do të jetë tek Pallati i Kulturës në Berat, në orën 18:00. Blushi ka shpërndarë ftesat me logon “Shqipëria mbi partinë”, dhe së bashku me të pritet që në takimin me qytetarët do të jenë edhe deputetja Mimoza Hafizi, ish-deputeti Marko Bello dhe figura të tjera politike.

Gjatë takimit, Ben Blushi do të shprehë pikëpamjet e tij mbi situatën e PS dhe referendumin që u zhvillua më 9 prill. Deri tani, deputetja Mimoza Hafizi është një nga mbështetëset e Ben Blushit, por nuk dihet nëse deputetja tjetër, Arta Dade, do ti bashkohet lëvizjes së Ben Blushit.

Marrëveshje bashkëpunimi mes FBI-së dhe Qeverisë Shqiptare

Kjo është marrëveshja e parë e këtij lloji e nënshkruar nga një ministër i Brendshëm në të gjithë historinë e marrëdhënieve ndërmjet Policisë së Shtetit Shqiptar dhe FBI-së

Në kuadër të vizitës së Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama në SHBA, u zhvillua një takim në zyrat qendrore të Byrosë Federale të Hetimit, ku Rama u prit nga drejtori i FBI-së, James Comey.

Gjatë këtij takimi, ministri i Punëve të Brendshme të Shqipërisë, Saimir Tahiri dhe kreu i FBI-së, James Comey nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit ndërmjet Byrosë Federale të Hetimit (FBI) dhe Qeverisë Shqiptare për shkëmbimin e informacionit dhe bashkëpunimin në kuadër të luftës kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar.

Sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Shqipërisë, kjo është marrëveshja e parë e këtij lloji e nënshkruar nga një ministër i Brendshëm në të gjithë historinë e marrëdhënieve ndërmjet Policisë së Shtetit Shqiptar dhe FBI-së.

Qëllimi i kësaj marrëveshjeje dypalëshe është nxitja e shkëmbimit të informacionit për verifikimin e të dhënave në luftën kundër terrorizmit. Në marrëveshje parashikohet që palët të caktojnë një ose më shumë pika kontakti mes tyre. Për palën shqiptare, pikë kontakti do të jetë Drejtoria e Antiterrorit në Policinë e Shtetit, ndërsa për palën amerikane do të jetë TSC (Terrorism Screening Center).

Ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes u bë me rastin e vizitës zhvilloi delegacioni qeveritar i kryesuar nga Kryeministri Rama në SHBA me autoritetet më të larta shtetërore që kulmoi me takimin me Presidentin Obama dhe zëvendëspresidentin, Joe Biden.

Qeveria Shqiptare, thuhet në njoftim mori vlerësimet e drejtorit të FBI-së për luftën e deritanishme kundër krimit, terrorizmit dhe korrupsionit si dhe reformat e ndërmarra në sektorin e sigurisë. aa

(Voal) Kryeministri Rama, takim me Presidentin Obama në Shtëpinë e Bardhë

Keida Kostreci

Voal – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama zhvilloi sot një takim në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin Barak Obama dhe Nënpresidentin Joe Biden. Në mbyllje të bisedimeve, Kryeministri Rama u ndal dhe dha përshtypjet e tij në një intervistë për Zërin e Amerikës, ku theksoi se takimi kishte nënvizuar partneritetin e rëndësishëm mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara:

“Takimi i kaloi parashikimet në kuptimin e kohës dhe nga ana tjetër mund të them se kaloi parashikimet në kuptimin e atmosferës shumë miqësore ku dëgjuam fjalë të shkëlqyera për Shqipërinë, për përpjekjet tona dhe, sigurisht, edhe ndamë së bashku bindjen se ky është një partneritet që duhet të vazhdojë të forcohet dhe se Shqipëria ka një rol të rëndësishëm për të luajtur në rajon, gjë për të cilën faktikisht morëm përgëzime dhe inkurajim shumë të madh. Dinamika e re e politikës sonë të jashtme ka sjellë një rritje shumë të  ndjeshme të reputacionit të vendit tonë edhe në sytë e vetë partnerëve tanë dhe sot ky është një fakt i provuar edhe në Shtëpinë e Bardhë,” tha Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama./ Burimi: Zëri i Amerikës

Rama batutë në Shtëpinë e Bardhë: Para Trumpit, unë zgjedh Bashën

Nga oborri i Shtëpisë së Bardhë, kryeministri Edi Rama nuk i ka lënë batutat lidhur me opozitën shqiptare dhe kreut të saj Lulzim Basha.

I pyetur nga gazetarja e VOA-s, për retorikën e tij ndaj Trump, Rama bëri një krahasim, duke thënë se ata që në Shqipëri zgjedhin Trumpin para tij, janë për t’u mëshiruar.

Ndërsa tha se ai vetë, edhe pse s’do ta zgjidhte për asnjë arsye Lulzim Bashën, në krahasim me Donald Trump do ishte i detyruar ta bënte.

“Jam i vërtetë, jam pyetur dhe jam përgjigjur, sa herë do pyetem do përgjigjem. Besoj që ata që në Shqipëri zgjedhin Trumpin para meje, pavarësisht diferencave që kanë me mua, janë për t’u mëshiruar, unë midis Trumpit dhe Lulzim Bashës, zgjedh Bashën pavarësisht se Bashën s’do e zgjidhja në asnjë alternativë”,- u përgjigj Rama.

Ish ministri Tafaj shpallet i pafajshëm

Shqipëri, sot vendimi nga Gjykata e Lartë. Prokuroria kishte kërkuar dënimin me 1 vit burg për akuzën “Shpërdorim të detyrës” kur drejtonte ministrinë e Arsimit

Në Shqipëri, Gjykata e Lartë rrëzoi sot kërkesën e Prokurorisë për të dënuar me 1 vit burg zotin Myqerem Tafaj, ish ministër i Arsimit gjatë qeverisë së kaluar së ish kryeministrit Sali Berisha, duke e shpallur atë të pafajshëm.

Zoti Tafaj, i cili është akualisht deputet, u akuzua për “Shpërdorim të detyrës”. Sipas prokurorisë ai kishte lëshuar në muajin gusht të vitit 2011 një urdhër “Për hapjen e programeve të ciklit të parë që përfundojnë me bachelor dhe programeve të ciklit të dytë që përfundojnë me master i shkencave, të shkollës së lartë private “Vitrina”, i cili vlerësohet të jetë në kundërshtim me ligjin dhe në  mos përmbushje të  rregullt të detyrës. Bëhet fjalë për të paktën 8 degë të reja, të cilat kishin nisur ndërkohë që dy vjet përpara daljes së urdhërit, e pranë të cilave ishin rregjistruar mbi 1800 studentë. Përllogaritet se shumat e paguara nga studentët për një vit akademik arrijnë së paku 1 milion euro.

Prokuroria, në kërkesën e saj, kishte theksuar se Këshilli i Akreditimeve, një organ i cili vlerëson kriteret teknike e cilësore të Institucioneve  të Arsimit të lartë, kishte dhënë opinion negativ për mundësitë e Universitetit “Vitirina” për t’u zgjeruar me degët e reja. Sipas prokurorisë ligji parashikon që “vlerësimi i shprehur prej këtij Këshilli në formën e vendimit  për plotësimin ose jo të kushteve teknike të cilësise së institucionit Arsimor, i paraqitet Ministrit, i cili ka detyrimin ligjor për ta zbatuar”, gjë e cila në këtë rast nuk ka ndodhur. “Në kundërshtim me atë çka ka vendosur Këshilli i Akreditimit, Ministri nga ana e tij pa marrë parasysh këto vlerësime, ka vendosur  hapjen e programeve mësimore. Ky veprim i tij është kryer me dashje të drejtperdrejtë, pasi edhe pse ka patur një detyrim ligjor për ta respektuar, edhe pse vlerësimi i dhënë nga institucioni kompetent ishte i qartë (vlerësim NEGATIV), ai ka vendosur hapjen e tyre në mënyrë të kundraligjshme”, pretendonte Prokuroria, provat dhe faktet e së cilës nuk u konsideruan bindëse për Gjykatën e Lartë.

Vrasësi e njihte Ajet Zeqajn, dinte që e kish zemrën në anën e djathtë

Ish-polici i vrarë, Ajet Zeqaj 

Hetimet për vrasjen e Ajet Zeqajt kanë marrë një rrjedhë tjetër. Dyshimet janë ngushtuar tek persona të njohur me të, nisur dhe nga fakti i mënyrës se si autori e ka ekzekutuar dhe përgjigjes së mbërritur nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.

Burime nga grupi i hetimit i thanë Televizionit Klan se viktima ka lindur me zemër në krahun e djathtë dhe për këtë fakt, autori ka qenë i mirëinformuar.

Provat dhe pamjet filmike tregojne se, në momentin që është qëlluar herën e parë, Zeqaj është kthyer dhe vrasësi e ka qëlluar dhe dy herë të tjera në krahun e djathtë, në kraharor dhe sërish kur ka rënë në tokë dhe më pas është larguar.

Ekspertiza ka treguar se ai është qëlluar me 7 plumba në total, dy në qafë, dy në zemër dhe tre në kokë.

Sipas të njëjtave burime, nisur nga këto detaje, lind dyshimi i arsyeshëm se Zeqaj është vrarë nga persona që kanë patur njohje të afërt me të.

Kritikohet Stema e Bashkisë Mirditë: Simbole fetare, shqiponja si e Rajhut, asnjë lidhje me historinë (fotot)

*Zef Lleshi: U shit historia për një bark koca thiu
*Bashkia Mirditë: Faza konkurruese për përzgjedhjen e tyre

Simbole fetare në institucione shtetërore. Duket se Mirdita i ka paraprirë projektit të kryeministrit për përfshirjen e fesë në shkollat laike. Kjo është stema e Bashkisë Mirditë, por debate ka hapur simboli dhe ngjyrat e përdorura në të. Dom Agustin Bardhi, prift i zonës së Mirditës e ka prezantuar këtë stemë në rrjetin social dhe menjëherë kanë ardhur dhe kritikat e para. Ngjyra e verdhë e Vatikanit, dhe Kisha e Oroshit, janë elementët fetarë të shtuar në stemë. Për më tepër një kritikë bëhet dhe për shqiponjën, që cilësohet si ajo e Hitlerit.

Dom Gjoni shprehet; “Është padyshim e vështire tu bësh “qejfin” të gjithëve, t’i bësh të gjithë të një mendje… Mua Stema e re e Bashkisë, Mirditë me pëlqen, ka elementë shumë të bukura e të rëndesishme…, një më mire nuk kisha ditur ta beja!”.

Por, një komentues, që duket se ka qenë dhe konkurrent në garën për stemën e Bashkisë, Zef Lleshi shprehet me nota kritike të forta. Sipas tij, stema është jashtë cdo konteksti historik të Mirditës, dhe është është përzgjedhur fituese nga intersaxhinj, që Zef Lleshi, thotë se; kanë shitur shitur interesa madhore të Mirditës për interesa të vogla personale. Zef Lleshi thotë se stema e re e Bashkisë, u shit për një bark me koca thiu.

Ja cfarë shkruan Zef Lleshi:
0Tani që komisioni inkopetent i nxori këmbët plotësisht në procesparacaktimin e fituesit përmes përjashtimit të konkurencës punimeve, duke përjashtuar autoret pa diskutuar në detaje apo qoftë dhe punët në përgjithësi të cdo autori në vecanti, tani po flas shkoqur si thonë… Ajo steme e quajtur fituese në fakt është një version jashtë cdo konteksti qoftë historik-sistemiqeverisës apo edhe etnogjeografike e religjioze. Sado që aty në sfond duket një kryq i vogël, sërish ashtu ne ate variant ai qëndron me të ashtuquajturën kurorë -kortezike mbi stemën në fjalë, pra as ai kryq nuk është në fakt pjesë e stemës. Kështu që ashtu sic ai gallopeni-si ka bërë vetëm një Shqiponjë plagjiature e gjallë sic edhe ishte dhe ai versioni i parë plagjiature e shqiponjës së Rajhut, por sërish edhe në këtë të dytën plagjiature ai tregohet i vendosur të luaje me Mirditën e mirditasit përmes disa pseudo-intelektualëve hora që shesin miqtë dhe interesat madhore të vetë Mirditës në interesa të vogla personale te tyre a për një bark me koca thiu dikund nëpër mejhane-sofrashqylesh, zyrtaresh pseudointelektual që po e shpërfytyrojnë nga pak edhe këtë pak Mirditë të mbetur.

Stema në fjale është thjeshte një shqiponjë arbërit-principatës-mbretërisë arbërit, pa asnjë element që të na sjellë në kohë të sotme modernitet, ku Mirdita kaloi etapa të ndryshme që nga Mesjeta. Pra nëse do krahasojmë stemën që këta qyloshat e kocave të thiut ndër mejhane qebabesh sollën duke e trumbetuar në fakt një vendim të paracaktuar si individ, gabuan rëndë dhe nuk bënë asgjë të hajrit, e kështu do të shkonte. Jo vetëm pse ata nuk arrijnë të kuptojnë, as sot e as mot me sa shihet, se cfarë është një logo-stemë-emblemë e një njësie administrative shtetërore sic konkretisht është Mirdita, Bashki e Republikës së Shqipërise, pra jo principate as mbretëri, si stema e Gallopeni, si flet edhe pse përmes një plagjiature të dukshme.

N.q.s dikush do të kërkojë të marrë një mesazh, ju siguroj që nga injoranca e atij, atyre *magjistricave, nënteksti i saj është, të ngrihemi të bëjmë edhe njëherë principatën e Arbërit ose mbretërine e Arbërit për hir të asaj steme që kanë shpallur si *fituese* në fakt e paracaktuar, dhe që të ndodhe kjo ne duhet të rikthehemi në kohe në Mesjetë e të luftojmë si qëmoti për *kauzën e këtyre*, por si të mos mjaftojë, kjo stemë e ktyre të kocave të thiut është shumë prapa edhe stemës së qeverisë së Mirditës e cila ne kontekstin Republikan, jo mbretërore.

Jashtë kontekstit kohore barazvlefshëm me cdo stemë simbolike shtetdrejtimi sundimi qofshin ato në mesjetë apo edhe në diktaturën komuniste janë jashtë kontekstit, jokoherentë.

Pra mund të themi se, ‘u mbars mali dhe polli një mi’. Ju përshëndes për vargun e sakte dhe koherent mbi edhe permendjen e emrit tim mes miqsh, por ajo qe dua te nenvizoj eshte fakti qe, ne kete paudhesi, ndikuan ME HIRE A ME PAHIRE, edhe qendrimet menjdengushta te jo pak autorve krijues qe tentuan te behen pjes e kesaj zgjidhjeje PERMES QENDRIMEVE JO FORT TRANSPARENTE DHE JO FORT MIQSORE PAS KUINTASH, me shume ne te mire te vehten se në te mire te vendlindjes por edhe ne rruge jo fort transparente, rruge kjo e cila solli te bere fakt dhe perçudnimin krejte jashte kontekstit kohore edhe jashte kontekstit estetik artistik për një stemë profesionalisht te justifikuar në tërësinë e saj”.

E pavarësisht kësaj kritike, stema sipas Bashkisë MIrditë është parashikuar të përdoret në medalje, në vula, bluza të futbollit të ekipit mirditor, madje dhe në filxhanë, stilolapsë, apo kuti shkrepse.

POR SI U PËRZGJODH STEMA E BASHKISË MIRDITË?

Bashkia Mirditë thotë se ka pasur një konkurs ndërsa shpjegon në faqen e saj, arsyet që cuan në përzgjedhjen e kësaj steme.

Ja përzgjedhja sipas Bashkisë Mirditë
Pas një procesi të gjatë studimor dhe konkurues, është realizuar stema e bashkisë Mirditë, me fitues magjistër të dizajnit grafik nga Theranda-Kosovë, Refki Gollopeni.
Për një realizim sa më të saktë dhe përfaqësues në elementë të stemës së bashkisë Mirditë, ka patur një organizim transparent, realizuar përmes disa fazave konkuruese.
Fillimisht, me urdhër nr 08, datë 20.01. 2016 të kryetarit të bashkisë z.Ndrec Dedaj, mbështetur në ligjet përkatëse, u ngrit komisioni këshillimor 3me studiues, publicistë, artistë e intelektualë në Mirditë dhe jashtë saj, për të ardhur më pas në hartimin e një procedure transparente për realizimin e stemës së re.
Kështu u bë publike ky proces duke ftuar konkurues në Mirditë apo jashtë saj përmes portalit të bashkisë Mirditë. Pati interesim të madh në këtë konkurim, ndaj 14 syresh paraqitën punimet e tyre, të cilat u morën në shqyrtim në një takim të hapur për publikun në fazën e parë më 10 shkurt 2016. Nga faza e parë u selektuan pesë pjesëmarrës me punimet më të mira, që ishin më afër idesë për një stemë sa më përfaqësuese për Mirditën, mbështetur në shkencën e heraldikës dhe në një qasje sa më të saktë historike për krahinën.

Më pas pesë të interesuarve iu dha mundësia në një takim të dytë në Tiranë me komisionin, të ishte prezent dhe studiuesi dhe njohës i heraldikës kombëtare Moikom Zeqo, ku u përcaktuan më qartë dhe elementët më përfaqësues, qe duheshin ref5lektuar në punimin për stemën e bashkisë Mirditë.

Kësisoj, 4 të interesuar e vazhduan garën, për të ardh në fazën përfundimtare më 21 mars 2016, ku pas diskutimeve në komision me shumicë votash, u morën në konsideratë për të diskutuar te kater modelet: atë të Artan Toma, Gjoke Pepa, Refki Gollopenit dhe Viktor Cupi.
Komisioni debatoi gjate rreth këtyre punimeve dhe u ndal më pastaj më shumë në dy punimet që u cilësuan unanimisht si më të spikaturat; ai i Refki Gollopenit dhe Gjokë Pepës. Me shumicë votash komisioni percaktoi për të paraqitur në këshillin e bashkisë Mirditë punimin e sjellë nga Refki Gollopeni, magjistër i dizajnit dhe grafikës.
Refki Gollopeni, 6 mjeshtër i grafikës me eksperiencë në stemat e Kosovës dhe më gjerë, paraqiti 5 variante te stemes dhe gjithe mekanizmin ku perdoret ajo si në flamurin e bashkisë, në dokumenta zyrtare, medalione, mirenjohje, suvenire etj etj.
Në sqarimin e tij ai ka përmbledhur se “Stema e bashkisë së Mirditës është e thjeshtë dhe përmbajtësore që paraqet karakterin, traditën, besimin, energjinë pozitive të njerëzve të mençur, të guximshëm, mikpritës, bujarë si dhe veprimtarinë etnokulturore7 patriotike, historike dhe ekonomike të mirditasëve”.
Në stemë janë vendosur elementet simbolike siç janë:
a)- Shqiponja e Arbrit:
Eshtë e punuar në formë grafike bashkëkohore, që simbolizon lidhjen historike dhe traditën shtetformuese të Mirditës, e cila në vitet 1160 deri në vitin 1216, është dokumentuar nga burimet historike si qendër e Principatës së Arbrit.
b)-Element i mburojës:
Simbolizon këtë qëndresë stoike dhe të papërsëritshme, qëndresë në luftë për liri, për dije, për kulturë dhe për shqiptarizëm. 9Prandaj ajo përbën një element emblematik të kësaj treve.

c)- Kompanjeli i kishës së Oroshit:
Është simboli i besimit, traditës, arkitekturës dhe si element i përkujtimit të rilindasve dhe patriotëve mirditorë. Është i pari shkrim shqip prej një kleriku katolik pra Ipeshkëvit Pal Engjelli, apo i pari libër në shqip prej një kleriku katolik, Gjon Buzuku për të vazhduar me shoqërinë “Bashkimi”, e drejtuar nga abati i famshem i Mirdites, Prend Doci. Janë kishat katolike në malet e Veriut të Shqiperisë, pra dhe në Mirditë të kthyera në çerdhe të kulturës dhe të dijës, të identitetit kombëtar, që e mbajnë fort të lidhur këtë trevë me shqiptarizmën dhe atdhetarizmin. Prandaj nuk mund të neglizhohej ky element për t’u vendosur në stemën heraldike të kësaj treve.
d)- Kalaja – Kulla:
Simbolizon traditën, zhvillimin e trungut familjar arbëror, më pas të Dukagjinëve, e pas 1570 në Mirditë me unitetin e 12 bajraqeve. Kalaja, kulla janë simbol i qëndresës ,pranë kalasë janë vendosur edhe majet e shtizave të 12 bajraqeve që simbolizojnë unitetin dhe gadishmërinë për mbrojtjen e vendit.
Të gjithë këto elemente duke u mbështetur në parimet heraldike, përputhen estetikisht, por dhe lehtësisht të përdorëshme në të gjithë elementet zyrtare dhe ballafaques me publikun apo me institucionet brenda dhe jashtë vendit.
Është përdorur ngjyra e kuqe, që së pari, është ngjyra e shqiptarizmës, ngjyra e flamurit kombëtar. Ngjyra e verdhë e ndritur pasi vetë kjo trevë është njëra ndër përpunueset e bakrit dhe arit si ndërlidhje me pirustët apo epokat e mëpastajme. Këto dy ngjyra u alternuan me ngjyrat e tjera për të pasqyruar edhe shpirtin e pasur dhe estetik të mirditasit të përdorur në veshjen apo punimet artizanale të kësaj treve

Autori eshte kujdesur që të mos ndërlikohej, por të ishte një stemë funksionale, lehtësisht e përdorëshme , sa më identitare dhe përfaqësuese.
Gjithashtu aty ruhen dhe jepen elementet përfaqësuese, që e identifikojnë fort këtë trevë e që e bëjnë unike atë, por duke ruajtur elementin kombëtar dhe atdhetar.
Pas kësaj me shumicë votash, komisioni vendosi t’i rekomadojë këshillit të bashkisë si stemën më përfaqësuese, atë të Refki Gollopenit nga Kosova, me mendimin për të përmirësuar disa detaje teknike.
Stema do te perdoret për:
– Vendimet dhe Aktet e Këshillit të Bashkisë Mirditë;
– Urdhrat dhe udhëzimet e kryetarit të bashkisë;
-Dokumentet e krijuara nga bashkia dhe institucionet vartëse etj.
Përmasat e stemës janë si më poshtë:
-Në varësi të madhësisë që kërkohet për ambjente të ndryshme, dhënë sipas modelit të paraqitur në zhkallën zvogëluese dhe zmadhuese.
-Për flamurin: dimensionet 100 x 150 me thekë anash.
-Dimensionet e flamurit të vogël për tavolinë 21 cm X 16 cm
Ngjyrat për stemën, flamurin dhe për suveniret:
E verdhë e ndritur, Light Yeloë C: 0 M:0 Y:60 K:0. E kuqe boj gjaku, Red C: 19 M:100 Y:100 K:18
Për prodhimin e stemës do të ndiqet procedura përkatëse me specialistë në studio të licensuara për vulat dhe simbolet.

stema2stema3stema4

Sharjet në Kuvend dhe fjalët fyese që dënuan Braçen me 5 ditë përjashtim

Byroja e Kuvendit ka vendosur dje të përjashtojë 5 ditë nga punimet e Parlamentit 4 deputetët që prishën punimet e seancës së kaluar plenare, ndërkohë që ka shmangur nga ndëshkimi ish- Kryeministrin Sali Berisha.

Maxhoranca në Byronë e Kuvendit ka vendosur që të përjashtojë 5 ditë kryetarin e Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe, po me kaq ditë dhe kryetarin e Grupit të Partisë Demokratike, Edi Paloka, po ashtu dhe deputetët e Partisë Demokratike, Arben Ristani dhe Roland Keta. Ndërsa për deputetin e PD-së, Sali Berisha, Byroja e Kuvendit ka vendosur që t’i tërheqë vëmendjen, duke e kaluar këtë me një “vërejtje”.

Më poshtë lexoni debatin me sharje në Kuvend, seancën e shkuar, që i kushtuan deputetëve përjashtimin 

Sali Berisha: Po marrim Divjakën, ku qeveris, sipas informacioneve të shumta, të paverifikuara natyrisht, një trafikant prostitucioni, njëfarë Fredi, Fredi Kokoneshi.

Erjon Braçe: Po kush je ti mo, që paske fituar të drejtën që me gjëra të pavërteta të vish këtu të fyesh, të poshtërosh, të vrasësh, e t’u marrësh jetën familjarisht njerëzve. Kush je ti more, kush je ti? Ke 21 vjet që bën këtë gjë, e ke bërë me këta të tutë njëherë. Se po shikoj njërin që po qesh (Arben Ristani).

DEBATI 

Arben Ristani: Po qesh se je një burrë kone…

Erjon Braçe: Po, buçe, po, buçe. Po, buçe…

Arben Ristani: Boll ti, o kone e vogël, që je sa këpuca ime.

Erjon Braçe: Po, buçe. Po, buçe… o buçe…

Ilir Meta: Ju lutem, ruani qetësinë, mos provokoni tension.

Erjon Braçe: Po të them edhe një herë tjetër, e ke filluar me këta të tutë. Nuk ke lënë njeri pa përfolur nga këta të tutë këtu. Nga rreshti parë deri tek i fundit. Ti, ti…

Sali Berisha: Po ke marrë 1 milion dollarë me Kokoneshin…

Erjon Braçe: Po do vish ta provosh në gjykatë…

Sali Berisha: Prandaj kërcen ti. Ke marrë 1 milion dollarë…

Erjon Braçe: O Sali, mos bëj si qen. Sali, mos bëj si qen.

Sali Berisha: Prandaj e mbron ti Kokoneshin, se ke marrë 1 milion dollarë.

Erjon Braçe: Mos bëj si qen. Ulu aty, se ka ik koha jote. Ulu aty, se e di unë ça halli ke ti. Ulu aty.

Jozefina Topalli: Nxjerre merr jashtë atë…

Sali Berisha: Ti je një këlyshi i vogël që leh këtu, por dollarë ke marrë shumë.

Erjon Braçe: Dëgjo ti, o qeni i madh, dëgjo…

Sali Berisha: O këlysh, o kone…

(Edi Paloka shkon të largojë Braçen nga foltorja. Garda mbron deputetin e PS)

Edi Paloka kap Braçen prej krahu: Ik largohu prej këtu…

Sali Berisha: O kolerë, ordiner, do të t’i nxjerr të gjitha…

Erjon Braçe: Po ça ke mo? Nxirri mo të gjitha… Nxirri, o rrugaç, o rrugaç…

Uashington – Kryeministri Rama flet për sfidat e sigurisë në Ballkan

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama foli në Këshillin e Atlantikut, ku ai u ndal tek sfidat e sigurisë me të cilat ndeshet sot Ballkani Perëndimor në kuadër të përpjekjeve të tij për t’u integruar në Bashkimin Evropian.

Zoti Rama nga njëra anë shprehu shqetësimin se sfidat me të cilat përballet Evropa, rrezikojnë ta lënë në hije integrimin e Ballkanit deri në një afat të pacaktuar dhe nga ana tjetër theksoi se përfitimet e integrimit do të ishin të dyanshme.

“Në këtë kontekst, ekziston rreziku se pasojat e krizës ekonomike, të sigurisë dhe asaj të emigrantëve që po kalon Evropa do të përhapen në Ballkanin Perëndimor duke sjellë më shumë pasiguri për këtë rajon”, tha zoti Rama.

Për momentin tha kryeministri, çështja e emigrantëve është problemi numër një në Evropë, si nga ana e sigurisë ashtu edhe nga çështja e vlerave. Ai the se përgjigjia e Evropës ka qenë e ngadaltë dhe jo e qartë, me përjashtim të Gjermanisë.

Zoti Rama e shprehu shqetësimin se zgjerimi mund të mos jetë përparësi, por duke dolur për sfidat aktuale në kontinent, ai sugjeroi se përfitimet mes Ballkanit dhe Evropës janë reciproke.

“Nuk është e tepruar të thuhet se Evropa ka nevojë për Ballkanin të paktën po aq sa ç’ka nevojë Ballkani për BE-në”, në këto momente.

Zoti Rama tha se rajoni është në momentin më të mirë të mundshëm përsa i takon marrdhënieve mes vendeve të tij, një arritje siç tha ai duke pasur parasysh të kaluarën me përplasje etnike.

Kryeministri i bëri thirrje Evropës për të intensifikiuar bashkëpunimin me Ballkanin Perëndimor në këto kohë krizash.

Një nga këto sfida dhe një temë për të cilën zoti Rama qëndroi gjatë, ishte çështja e ekstremizmit të dhunshëm.

Zoti Rama tha se vendi i tij është bërë partner i plotë në përpjekjen globale për ta luftuar atë. Sipas burimeve të ndryshme, nga Shqipëria ka patur rreth 100 luftëtarë që i janë bashkuar grupeve ekstremiste në Lindjen e Mesme.

Por kryeministri Rama tha sot se gjatë vitit 2015 asnjë shtetas shqiptar nuk është bashkuar me organizatat ekstremiste.  Kryeministri shqiptar përmendi në fjalën e tij se Shqipëria është një shembull i tolerancës dhe bashkëjetesës së feve të ndryshme. Ai tha se radikalizmi duhet luftuar së pari në mendjet e njerëzve, sidomos të rinjve.

“Duhet t’u mësojmë brezave të rinj sesa i çmueshëm është ky shembull i Shqipërisë, sa i vlefshëm është ky komunitet tolerance dhe bashkëekzistence fetare dhe çfarë rrezikohet përsa u takon kërcënimeve që vijnë nga të gjitha anët ndaj kësaj pasurie kombëtare”, tha kryeministri.

“Ne mendojmë se informacioni i përshtatshëm për moshën dhe një diskutim i hapur në klasa do të kontribuojë që fëmijët dhe të rinjtë tanë të fitojnë njohuri që të jenë më mirë në gjendje që t’i rezistojnë urrejtjes mbështetur tek feja, të refuzojnë diskriminimin dhe kështu të përforcojmë kompaktësinë tonë të njohur sociale”, tha zoti Rama.

Ai iu referua kështu një teme të diskutuar mjaft në Shqipëri. Zoti Rama tha se kur ndodhin sulme terroriste si ai i Parisit, ka nga ata që thonë që ato u kryen nga myslimanët dhe pastaj vazhdojnë duke thënë se kjo është arsyeja që duhen mbyllur kufijtë, duhet t’u hiqet shtetësia dhe këtyre njerëzve u rritet mbështetja.

Duke folur për këtë temë, zoti Rama, përmendi edhe kandidatin republikan, Donald Trump, komentet për të cilin kishte dhënë para disa ditësh, ngjallën reagime në Shqipëri.

Ai sugjeroi se do të ishte e rrezikshme që një njeri që demonizon grupe të caktuara – duke folur veçanërisht për myslimanët – të ishte në krye të Shteteve të Bashkuara.

“Dhe ta them deri në fund se nuk mund të mos e them, se si mundet që Donald Trump mund të arrijë të jetë kandidati i një partie që kishte si kondidat Ronald Reganin”.

Dhe duke folur më gjerë për rrezikun e mosnjohjes, ai dha më shumë hollësi për kontekstin duke thënë se kjo mosnjohje e tjetrit, hendek në mosnjohje krijon premisa të rrezikshme që i bën njerëzit të ndjehen të përjashtuar dhe stigmatizuar.

“Dhe pastaj e kupton që ka një hendek njohjeje, një hapësirë e gjerë ku injoranca, mosnjohja e koncepteve të thjeshta, bazë për fetë dhe për besimin e tjetrit, ka krijuar një terren që e ushqen këtë lloj politike, për këtë lloj radikalizimi dhe krijon një efekt zinxhir”.

Zoti Rama vlerësoi lart marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, duke thënë se Shqiptarët janë me fat që është një histori suksesi e Shteteve të Bashkuara në Ballkan. Ai përmendi si sfidë për rajonin edhe përpjekjet për ndikim rus, por shtoi se ky ndikim nuk është i njëjtë për të gjitha vendet e rajonit.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje të Zërit të Amerikës, zoti Rama foli edhe për problemet me të cilat përballen vendet e Ballkanit së brendshmi, si klima politike, përfshirë Shqipërinë.

“Po, ne si vende të rajonit, na duhet të përballemi sfidat që kanë të bëjnë me të shkuarën tonë dhe do ta lidhja thjesht me ritmin e integrimit të vendeve ish-komuniste”, tha ai.

“Nëse për vende si Polonia, të hynin në Evropë ishte si të riktheheshin në shtëpitë e tyre, për ne hyrja në Evropë, është të shkojmë diku ku nuk kemi qenë kurrë më parë”, tha ai.

Ai shtoi se vende si Shqipëria kanë më shumë sfida të dukshme përsa i takon korrupsionit apo mungesës së vullnetit për të respektuar ligjin, për shkak të mungesës së modernizimit.

Ai bëri edhe një krahasim me klimën politike në SHBA.

“Përsa i takon klimës politike, jemi në Uashington dhe nuk është një vend që më bën të më vijë zor për jetën tonë politike, sepse nëse nuk ka ndonjë gjë për të mësuar në Uashington është se si të partitë të bashkohen për të mirën e vendit, sepse as republikanët, as demokratët nuk mund të na thonë se e duan njëri-tjetrin dhe sa të gatshëm janë për të bashkuar forcat për një synim më të madh”, tha zoti Rama duke iu referuar retorikës së ashpër të fushatës presidenciale në SHBA.

Ambasada SHBA në Tiranë, paralajmërime për dhunë pas gjyqit të imamëve

Dënimi i 9 imamëve të akuzuar për terrorizëm nga Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë mund të sjellë reagime të dhunshme të mbështetësve të tyre.

Është ky alarmi që përcjell Ambasada Amerikane në Tiranë,  pak ditë pas kërkesës së prokurorisë për të dënuar 9 imamët e vetëshpallur me 152 vite burg.

Ambasada e SHBA-së në Tiranë informon qytetarët e SHBA-ve se Gjykata e Krimeve të Rënda shqiptare, së shpejti do të shpallë vendimin e dënimit për rastin e nëntë imamëve të akuzuar për mbështetje të terrorizmit.  Grupet ekstremiste të lidhura me imamët, mund të reagojnë me akte të dhunshme nëse ata shpallen  fajtorë, shkruhet në njoftimin e ambasadës.

Më tej, ambasada bën të qartë se nuk është në dijeni, të ndonjë kërcënimi specifik kundër qytetarëve apo interesave të SHBA-së. Megjithatë, qytetarët amerikanë në Tiranë, duhet të jenë vigjilentë, për të shmangur zonën pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda në rrugën Jordan Misja në Tiranë, dhe të evitojnë çdo tubim që mund të organozohet, pas marrjes së vendimit, përfundon lajmërimi i Ambasadës USA në Tiranë, në faqen e saj zyrtare, ku i drejtohet  me mesazhe qytetarëve amerikanë që jetojnë në Shqipëri.

Seanca e radhës e gjyqit të imamëve do të jetë në 19 Prill dhe pritet që të shoqërohet me masa të larta sigurie. Shqetësimet specifike të sigurisë duhet t’i adresohen autoriteteve shqiptare të zbatimit të ligjit, të cilët janë përgjegjës për sigurinë e të gjithë vizitorëve në Shqipëri.

ambasada-2

 

Deputetët gjermanë vizituan Burgun e diktaturës në Spaç –

Deputeti Andreas Lammel, i lindur dhe i rritur në Gjermaninë Lindore, theksoi rëndësinë e ruajtjes së këtyre monumenteve/
Burgu i Spaçit është një dëshmi e gjallë e vujatjeve të mijëra të burgosurve gjatë periudhës së komunizmit. Një periudhë shumë e diskutuar por që ende has debat të madh në opinionin publik.
Për t’u njohur më nga afër mbi historinë e këtij kampi famëkeq, 5 deputetë të Bundestagut vizituan nga afër atë që ka mbetur nga burgu.
Deputeti Andreas Lammel, i lindur dhe i rritur në Gjermaninë Lindore, theksoi rëndësinë e ruajtjes së këtyre monumenteve.
“Hapi i parë që duhet bërë është që të lindë dhe të zhvillohet një koncept i mirë se si prej këtij vendi të bëhet një memorial apo një muze, sepse kështu siç është, është e qartë që nuk mund të qëndrojë më. Kush nuk njeh mirë të shkuarën e vetë, nuk mund të punojë mirë për të ardhmen. Ndaj, vende të tilla duhet të ruhen për të përkujtuar viktima të së shkuarës, por edhe si shenjë paralajmërimi për brezat e së ardhmes”, deklaroi Lammel.
Në të njëjtën linjë ishte dhe ambasadori Helmut Hoffman, i cili bëri thirrje për më shumë vëmendje në këtë temë.
“Edhe ne në Gjermani kemi një të shkuar jo pak të dhimbshme. Kemi pasur të bëjmë me dy diktatura mjaft të dhunshme, ndaj e dimë mjaft mirë sesa i vështirë është ky proces i përballjes me të shkuarën. Por ne e dimë gjithashtu që është po kaq e rëndësishme dhe ju detyrohemi viktimave të asaj periudhe që të merremi me të shkuarën. Këtë jemi duke e bërë prej vitesh në Gjermani. E di mjaft mirë që kjo është një temë mjaft delikate për politikën shqiptare, por do të ishte një kënaqësi nëse asaj do t’i kushtohej më shumë vëmenje, qoftë në opinionin publik, qoftë në jetën politike të vendit”, u shpreh Hoffman.
Për gati 3 orë, deputetët e Parlamentit gjerman u njohën me dëshmitë e të mbijetuarve për torturat e pësuara në këtë burg.

FAKT-Diktatori Enver Hoxha, hero kombëtar i Serbisë –

Edhe nëse ndodh që Shqipëria t’i heqë dekoratat e titujt, diktatori e ka të sigurt lavdinë që ia njeh Serbia.
Diktatori Enver Hoxha vdiq më 11 prill 1985. Edhe pse ka kaluar kaq shumë kohë, ka njerëz, madje edhe media që e kthejnë në kujtesë dhe jo për veprat kriminale që kreu për 50 vjet. Ka nostalgjikë që i shkojnë ende tek varri e përkujtojnë, ka media që e sjellin vazhdimisht në vëmendje pa prekur thelbin e krimeve të tij. Ka politikanë që e vlerësojnë ende. Por një e vërtetë rreth gjithë krimeve të tij ende nuk ka dalë në dritën e botimeve. Herë pas here dalin detaje, por që nuk e përmbledhin të plotë veprën e tij kriminale.
Një iniciativë e deputetëve të PDIU-së, Mesila Doda e Shpëtim Idrizi, tenton të heqë dekoratat atyre që kanë kryer krime në komunizëm. Diktatori Enver Hoxha është i pari që do të duhet të humbasë titujt, të cilët me sa duket ende i ka nëpër dokumentacionet e shtetit shqiptar.
Por edhe nëse ndodh që në Shqipëri t’ia heqin dekoratat e titujt, diktatori Enver Hoxha e ka të sigurtë që në Serbi do të vazhdojë të jetë hero kombëtar.
Fotografia e botuar nga 27.al, konfirmon këtë trofe të diktatorit, marrë nga Serbia në vitin 1946.
Në fakt, e meriton këtë titull se është udhëheqësi që vrau pa mëshirë popullin e tij, jo vetëm ata që i eliminoi fizikisht, por vrau lirinë e një populli të tërë për gjysëm shekulli. Pasojat e atij sistemi Shqipëria po vazhdon t’i vuajë edhe sot.

Rama pritet në New York nga kryetari i Bashkisë Bill De Blasio

*I sapomberritur ne New York, Rama zhvilloi nje takim dhe me shqiptaret qe jetojne aty
TIRANE-Kryeministri Edi Rama është takuar sot në New York me kryetarin e Bashkisë, Bill De Blasio. Rama ka shprehur falënderimet për pritjen në faqen e tij në Facebook e Twitter.

“Kënaqesi e posaçme mikpritja e kryebashkiakut të Nju Jorkut ne stacionin e pare te vizites ne SHBA. Thank you so much Mayor @deBlasioNYC”, shkruan Rama.

I sapomberritur ne New York, Rama zhvilloi nje takim dhe me shqiptaret qe jetojne aty. Kete e beri te ditur me nje publikim te radhes po ne rrjetin social, Facebook.
“Faleminderit çdokujt qe me pranine sonte e beri takimin me shqiptaret e Nju Jorkut kaq mbreselenes per numrin e madh dhe energjjne pozitive”.

Ndërkaq, komisionerja për Çështjet Ndërkombëtare në Bashkinë e New Yorkut, Penny Abeywardena, i ka uruar mirëseardhjen kryeministrit të Shqipërisë.

“Edi Rama, të lumtur që ju mirëpritëm sot në zyrën e kryebashkiakut të New Yorkut. Komuniteti shqiptar, i rëndësishëm për përbërjen e larmishme të City-t”, shkruan komisionerja në Twitter.


Send this to a friend