VOAL

VOAL

Ndocaj letër ambasadorit Lu: Shteti shantazhon këdo që guxon thotë të vërtetën

TIRANE- Deputeti Eduart Ndocaj në një letër të hapur për kërcënimin ndaj tij drejtuar ambasadorit amerikan, Donald Lu ka pohuar se shqiptarët ndodhen në të njëjtën situatë si në regjimin e diktatorit Enver Hoxha.

Në letrën e bërë publike në rrjetin social “Facebook”, Ndocaj shkruan më tej se pushteti i sotëm ka lidhje të ngushtë me mafien, ndërsa theksoi se shantazhi bëhet përmes mekanizmave mafioze. Ditën e djeshme, deputeti më i ri i Kuvendit të Shqipërisë deklaroi se ishte kërcënuar nga vëllai i ish-deputeti Arbën Ndokës.

LETËR E HAPUR
Drejtuar: SH.T.Z. Lu, Ambasador i SHBA
I nderuar, SH.T. Z. Ambasador Lu, së pari gjej rastin tu përgëzoj për rolin e rëndësishëm që keni dhe po bëni në proceset demokratike të Shqipërisë, në procesin e dekriminalizimit dhe së Fundi edhe për Reformën në Drejtësi.
Unë, që ju drejtohem me këtë letër jam Eduart Ndocaj, Deputet i Republikës së Shqipërisë i ardhur në Parlament si pasojë e dekriminalizimit
Ç’është e vërteta, duke qenë se jam Deputet, një privilegj për nga misioni, por shumë e vështirë për tu ushtruar si duhet për kohët që jetojmë, nuk duhet të ishte e nevojshme që të komunikoja me ju përmes kësaj letre të hapur, sepse ekzistojnë e duhet të ekzistojnë mekanizmat institucional.
Arsye që vendosa të shkruar publikisht lidhet me faktin se shqiptarët I ka pllakosura frika si në kohën e Regjimit Hoxha, por me një ndryshim të madh, në atë kohë kishim një regjim totalitare, ndërsa sot kemi një pushtet që ka lidhje të ngushtë me mafien e përmes mekanizmave mafioze shantazhon qytetarët e këdo që guxon të thotë e të mbroj të vërtetën.
Nga moment që kam marr mandatin e Deputetit dhe jo vetëm, kam qëndruar sa kam pasur mundësi pranë qytetarëve nën nevojë dhe pranë problematikave të tyre. Kam denoncuar me forcë çdo lloj formë abuzimi me pushtetin, mos funksionimin e institucioneve, mos funksionimin me efikasitetin e kërkuar të shërbimeve spitalore.

Megjithatë, këto janë vetëm një maje ajsbergu në Shqipëri, ku ne jetojmë e duhet të jetojmë.
Dje, pasi përmes një reagimi në faqen time zyrtare të facebook denoncova dhe kritikova marrjen peng të PS-Lezhë, procesin zgjedhor vetëm pak orë më vonë u morë nga të gjitha mediat duke u publikuar, marr një telefonatë kërcënuese të tipit mafioz.
Kjo telefonatë me erdhi nga persona që kanë lidhje me pushtetin e siç duket kanë qejf edhe krimin.
Me personat që më kanë kërcënuar dhe tashmë kam bërë edhe denoncim në organet përkatëse, nuk kam pasur kurrë dhe kurrë përplasje personale apo për motive personale. Pra, unë jam kërcënuar për shkak të detyrës si Deputet i Republikës së Shqipërisë.
I nderuar SH.T.Z. Lu është e turpshme dhe e rrezikshme në të njëjtën kohë që sot, Politika shqiptare ka lidhje të forta me grupet mafioze dhe grupet mafioze kanë lidhje dhe interesa të ngushta me politikën.
Shqipëria, sot duke u nisur nga ngjarjet e vitit 2015 dhe me këto që po ndodhin në fillim të vitit 2016 janë të rënda, të rrezikshme dhe dëshmojnë rreziqet reale që i kanosen shoqërisë, politikës dhe pushtetit.
SH.T.Z. Ambasador, Shqipëria ka nevojë për një proces të thellë dekriminalizimi, për një reformë serioze dhe të panjëanshme në drejtësi dhe po ashtu për Byronë e Hetimit.
SH.T.Z. Ambasador, unë falënderoj Ju dhe SHBA për kontributin e jashtëzakonshëm që po jepni në demokratizimin dhe në konsolidimin e Shtetit të Drejtës.
Ne jetojmë në një vend ku pa asnjë lloj problemi kërcënohen edhe Deputetë, bëhen vrasje në mes të ditës, në çdo kohë, në çdo vend. Kjo nuk është Shqipëria që meritojmë dhe duam.
Me respekt
Eduart Ndocaj, Deputet

Eduart Ndocaj: Vëllai i Arben Ndokës më kërcënoi me jetë, politika dhe mafia nuk po dallohen më

TIRANE – Deputeti i qarkut të Lezhës Eduart Ndocaj pretendon se është kërcënuar me jetë nga vëllai i ish­deputetit Arben Ndoka. Në një reagim në faqen e tij në “Facebook”, Ndocaj thekson se kërcënimi ka lidhje me deklaratat e tij, për problematikat që lidhen me funksionimin e PS-së në Lezhë.

Deputeti Ndocaj kërkon vëmendjen e ambasadorit amerikan Donald Lu dhe të selive diplomatike të huaja të akredituara në Shqipëri, pasi sipas tij, politika dhe mafia po bëhen një dhe nuk po dallohen më.

STATUSI I PLOTE NE FAQEN E EDUART NDOCAJ NE FACEBOOK
Z. Ndocaj nga momenti i marrjes së pushtetit në përputhje me Kushtetutën dhe me misionin e mandatit të deputetit, duke mbrojtur interesat e përgjithshme dhe të qytetarëve ka denoncuar disa herë abuzimet në pushtetin, mungesën e efikasitetit të institucioneve, mungesën e shërbimeve.

Në përputhje të plotë me ligjet në fuqi dhe me rregullat e lojës të Demokracisë ka vetëshpallur kandidimin e tij për Kryetar të PS.

Z. Ndocaj, dje bëri një reagim të tij në faqen zyrtare të Facebook, duke evidentuar disa problematika që lidhen me funksionimin e PS në Lezhë dhe me procesin zgjedhor të PS.

Reagimi i z. Ndocaj, krejt normal në formën e saj demokratike si dhe për faktin, se është një kontribues i rëndësishëm i PS është botuar thuajse në të gjitha mediat online.
Shkrimi i z.Ndocaj nxjerr në pah probleme të PS Lezhë, që të gjithë i dinë, por nuk kanë guxim të flasin.
Në lidhje me këto problematika z. Ndocaj, ka njoftuar disa drejtues të rëndësishëm të forumeve të larta të PS, duke përfshirë këtu edhe z. Balla.
Nga pasditja z. Ndocaj merr një telefonatë kërcënuese nga z. Xhevahir Ndoka, vëllai i ish-deputetit z. Arben Ndoka.

Duhet të theksojmë se z. Ndocaj është kërcënuar me jetë për shkak të detyrës. Pas telefonatës kërcënuese, z. Ndocaj ka biseduar me vëllaun tjetër të Arben Ndokës, Sander Noka, i cili konfirmoi linjën e vëllaut kërcënues duke argumentuar se: “nuk kam ctë bëj, sepse e ke mbushur kupën”.
Në lidhje me këtë kërcënim janë në dijeni z. Taulant Balla dhe z. Edi Rama.

Z. Ndocaj disa herë i ka ngritur problematikat e PS në Lezhë, e madje i ka thënë z. Balla, se është i gatshëm të takohej me z. Ndoka e të ndaheshin pozicionet pa pasur nevojë për ndonjë përplasje primitive.

Këtë z. Ndocaj ka dashur ta bëj për të mirë të PS dhe për faktin se me z. Arben Ndoka kanë bërë së bashku sfidën e 2013 e për këtë arsye e konsideronte mik.

Pra, z. Ndocaj i ka konsideruar miq vëllezërit Ndoka duke mos u marrë asnjëherë personalisht me ta.
Duket si një skenar i rrezikshëm për të fut në gjakë për arsye politike veriorët.

Po ashtu vëllai i Arben Ndokës, pasi kërcënon përmes telefonit z. Ndocaj, deputet të Republikës së Shqipërisë, nga 23.00 merr në telefon edhe Këshilltarin e tij z. Alban Daci, duke e kërcënuar me jetë familjarisht dhe duke i dhënë ultimatum, për tu larguar nga Shqipëria brenda 24 orëve ose ndryshe do të jetë i vdekur. Kërcënimi me jetë i z. Daci bëhet për herë të dytë për shkak të detyrës si Këshilltar dhe si publicist.

Kohë më parë z. Daci është kërcënuar personalisht nga vetë Arben Ndoka, sepse kishte bërë një status për dekriminalizimin, duke e trajtuar si fenomen pa përmendur asnjë emër konkrete.
Z. Daci në kërcënimin e parë ka njoftuar e ka komunikuar me Ambasadën e SHBA dhe z.Balla.
Z. Ndocaj nuk ka ndërmend të bëj asnjë lloj lëvizje të natyrës primitive, por do të ndjek rrugën ligjore.

Po ashtu z. Ndocaj u bën thirrje selive diplomatike të huaja të akredituara në Shqipëri, të shqetësohen për situatën mafioze që është krijuar nën pektun e politikës.

Po ashtu, z. Ndocaj i kërkon vëmendje edhe ambasadorit të SHBA, z. Lu në lidhje me kërcënimin e bërë si dhe për faktin se politika dhe mafia për far të keq në Shqipëri po bëhen një dhe nuk po dallohen më.

Kuvendi i Shqipërisë ratifikon marrëveshjen për themelimin e Fondit të Ballkanit Perëndimor

Palët nënshkruese të këtij Fondi janë Shqipëria, Bosnje dhe Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia, Kosova dhe Serbia

TIRANË – Kuvendi i Shqipërisë në seancën e sotme plenare ka miratuar projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes për themelimin e Fondit të Ballkanit Perëndimor (FBP) dhe statutit të tij”. Marrëveshja në fjalë u ratifikua me 102 vota pro.

Palët nënshkruese të këtij Fondi janë Shqipëria, Bosnje dhe Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia, Kosova dhe Serbia. Marrëveshja ka si qëllim kryesor krijimin e një fondi të përbashkët nëpërmjet të cilit do të financohen projekte të vogla dhe të mesme në fusha si arsimi, kultura, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, mjedisi, bashkëpunimi ndërkufitar etj.

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, gjatë fjalës së tij në seancën parlamentare, ka deklaruar se marrëveshja për themelimin e Fondit të Ballkanit Perëndimor konfirmon Shqipërinë në një rol në rritje sa i përket politikës së jashtme në rajon dhe rëndësisë që ka vendi në procesin e bashkëpunimit rajonal.

“Ky proces e normalizon klimën e marrëdhënieve politike në Ballkan. Fondi do bëhet operacional atëherë kur të gjithë parlamentet e vendeve të Ballkanit Perëndimor të kenë realizuar procedurën e ratifikimit të marrëveshjes. Fondi i Ballkanit Perëndimor reflekton modelin e bashkëpunimit rajonal. Shqipëria është vendi i parë që e ratifikon dhe selia e fondit do të jetë në Tiranë”- u shpreh ndër të tjera Bushati.

Vendet pjesëmarrëse në FBP kanë rënë dakord që selia e Fondit të jetë në Tiranë dhe që drejtori i parë ekzekutiv, i cili qarkullon me rotacion 3-vjeçar, të jetë shqiptar. aa

Memorandum bashkëpunimi mes Bashkisë së Pogradecit e komunave të Strugës dhe Ohrit

Kryetari i Bashkisë së Pogradecit, Eduart Kapri, homologu i tij i Komunës së Strugës, Ziadin Sela dhe përfaqësues të Komunës së Ohrit ishin pjesë e një aktiviteti të zhvilluar në Wismar të Gjermanisë

TIRANË – Bashkia e Pogradecit dhe Komunat e Strugës dhe Ohrit nënshkruan një memorandum bashkëpunimi në Wismar të Gjermanisë për të rritur bashkëpunimin në fushën e turizmit, ruajtjen e mjedisit si dhe shfrytëzimin e të gjitha resurseve e vlerave të Liqenit të Ohrit duke marrë për bazë modelin gjerman.

Kryetari i Bashkisë së Pogradecit, Eduart Kapri, homologu i tij i Komunës së Strugës, Ziadin Sela dhe përfaqësues të Komunës së Ohrit ishin pjesë e një aktiviteti të zhvilluar në Wismar. Në njoftimin zyrtar të Bashkisë së Pogradecit thuhet se memorandumi që nënshkruhet për herë të parë do të pasohet nga një marrëveshje më e gjerë bashkëpunimi mes këtyre tre institucioneve në muajin mars.

Sipas memorandumit, Bashkia e Pogradecit dhe Komunat e Strugës dhe Ohrit, do të angazhohen për projekte të përbashkëta për të rritur turizmin dhe shkëmbimet mes tyre.

Kryetari i Bashkisë së Pogradecit, Eduart Kapri deklaroi se ky memorandum do të ketë modelin gjerman si mbështetje. “Unë shpreh vullnetin që ky proces të finalizohet me sukses duke e parë si një mundësi konkrete për shkëmbime mes institucioneve tona e në veçanti për turizmin”, tha Kapri.

Kryebashkiaku i Pogradecit takoi edhe kryetarin e Bashkisë së Wismarit, Thomas Beyer, ku diskutuan për bashkëpunime dypalëshe e në veçanti në finalizimin e një binjakëzimi mes dy bashkive.

Kryebashkiaku Kapri zhvilloi edhe takime me disa investitorë gjermanë të cilët i ftoi të vizitojnë Pogradecin dhe të nisin projekte investimi veçanërisht në turizëm. Bashkia e Wismarit është një nga qytetet më të vjetra gjermane që mbrohet nga UNESCO.

Albin Kurti: Thaçi president bëhet atje ku rrinë minjtë e gjarpërinjtë, jo në Kuvend

Ish-kryetari dhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka folur për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, për të cilin tha se ai ka treguar se kryeministri Mustafa nuk e ka ditur se çfarë ka nënshkruar në Bruksel.

Kurti në një paraqitje në transmetuesin publik ka thënë se protestat e opozitës, nuk kanë të bëjnë me dëshirën për pushtet dhe se kundërshtimi brenda Kuvendit me gaz lotsjellës do të vazhdojë derisa të kryej punë.

Ndërsa për zgjedhjen e Thaçit president, ai tha se nuk mund të bëhet në sallën e seancave.

“Ai mund të bëhet president në tavan ku rrinë minjtë e në Gërmi gjarpërinjtë, por në sallën e seancave në Kuvendin e Kosovës, jo”, ka thënë Albin Kurti.

Imazhi i Kosovës, sipas Kurtit, i pëlqen vetëm klasës së lartë dhe të mesme të lartë, sepse shtresa e ulët, sipas tij, po thonë se “nuk hahet imazhi, sepse këtu ka varfëri”

Tre ish-themelues të PS përkrah Blushit: Kjo nuk është më Partia Socialiste

3 themelues dhe ish-drejtues të larët dhe të strukturave të Partisë Socialiste mbështesin deputetin Ben Blushi, Mimoza Hafizi dhe Namik Kopliku për mungesën e garës për kryetar por edhe për mënyrën se si po funksionon kjo parti.

Leontiev Çuci, ish-deputet, ish-anëtar kryesie, Hamdi Jupe, ish-deputet dhe ish-anëtar I kryesisë si dhe Majlinda Keta, ish-kryetare e forumit të Gruas të PS deklaruan dje të ftuar në emisionin “Debati në Channel One” të gazetarit Roland Qafoku se fakti se në këtë parti nuk ka garë që nga vitit 2007 do të thotë se kjo parti nuk ekziston më. “PS duhet të ndërrojë emrin.

Mund të quhet “Rilindje” ose nuk e di se çfarë, por vetëm Parti Socialiste jo”, tha Çuçi.

Ndërsa Majlinda Keta ishte edhe më radikale teksa deklaroi se qeverisja e PS ka dështuar dhe se parashikon humbje në zgjedhjet e 2017. “Mua më habit fakti që edhe ata pak deputetë që kanë themeluar PS dhe janë në grupin parlamentar nuk flasin për mungesën e ekzistencës së forumeve dhe garës në këtë parti”, tha Keta.

Ndërsa Hamdi Jupe, duke u mbështetur në statusin e partisë gjeti mënyrën se si mund të bëhet garë për kryetarin e PS në zgjedhjet në kongresin e 19 marsit.

“Nëse dikush depoziton padi në gjykatë për këtë çështje dhe gjykata shpall vendin vakant për kryetar, vetëm atëherë mund të ndodhë që të bëhet garë për kryetarin e PS”.

BIRN: Ortaku i Olsi Ramës qëndron pas kërkesës së koncesionit të TVSH-së – Nga Besar Likmeta

Voal – Ministria e Financave pritet të hapë në mesin e muajit shkurt një tender ndërkombëtar për përzgjedhjen e një kompanie koncesionare për një periudhë 10-vjeçare, e cila do të ofrojë një sistem teknologjik monitorimi dhe transmetimi të dhënash për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, TVSH. Kompania që ka më shumë gjasa që ta fitoi këtë tender, e cila ka bërë dhe propozimin e pakërkuar për koncesionin, quhet M.POS Limited dhe ka seli në Hong Kong.

Megjithatë, BIRN ka zbuluar se partneri lokal i M.POS Limited është një kompani shqiptare e quajtur MCN Sh.pk, pronari i së cilës, Endri Meksi, është gjithashtu ortak në një kompani tjetër të regjistruar në Tiranë me vëllain e Kryeministrit, Olsi Rama.

Informacioni për përfshirjen e MCN në koncesionin e TVSH-së është mbajtur sekret nga Ministria e Financa, e cila e pyetur disa herë nga BIRN ka dhënë vetëm emrin e partnerit të saj nga Hong Kong, M.POS Limited.

Lidhja e Olsi Ramës me kompaninë që po kërkon koncesionin me një vlerë mbi 100 milion dollarë, ngre pikëpyetje lidhur me konflikt të mundshëm interesi në qoftë se kjo kompani do të shpallet fituesi i tenderit ndërkombëtar që pritet të mbahet nga qeveria Shqiptare.

I kontaktuar nga BIRN, zyra e kryeministrit tha se gara për koncesionin nuk është hapur dhe si rrjedhim nuk kemi të bëjmë me konflikt interesi, diçka që kryeministri Edi Rama nuk do lejonte kurrë.

“Në momentin që flasim nuk ka asnjë garë apo tender të çelur për partneritetin publik privat në fjalë. Nëse Ministria e Financave do të vendosë ta hapë një garë të tillë, aty do të mund të konkurrojnë të gjitha kompanitë e interesuara,” tha zyra e kryeministrit.

“Nga ana tjetër siç lehtësisht mund të konstatohet, Kryeministri Rama nuk ka lejuar dhe nuk do të lejojë në asnjë rast e për asnjë arsye marrjen e ndonjë vendimi nga qeveria shqiptare që përbën konflikt interesi. Çdo insinuat e paraqitur si fakt është thejsht një spekulim,” përfundon reagimi.

Endri Meksi, pronar dhe administrator i MCN, nuk iu përgjigj një kërkese për koment nga BIRN mbi koncesionin.

Sipas kushteve të koncesionit, kur të ardhurat nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar të rriten më shumë se sa 11 për qind mbi vitin paraardhës, do të duhet të ndahen mes shtetit dhe kompanisë koncesionare. Në rast se rriten nga 11 në 15 për qind, ndarja do të bëhet në raportin 90 me 10 ndërsa nëse rriten nga 15 në 19 për qind, ndarja do të bëhet në raportin 65 me 35. Me një llogaritje të thjeshtë, koncesionari do të marrë mbi 140 milionë euro për dhjetë vitet e ardhshme ndërsa shteti mund të marrë 40 milionë euro.

Ndryshe nga Meksi, kreu M.POS Holding Limited, Allen Cheng, i tha BIRN nëpërmjet postës elektronike, se partneri i tij në Tiranë ishte pikërisht kompania MCN, dhe është kjo kompani që i ka drejtuar negociatat me qeverinë shqiptare. [Kliko këtu për të lexuar email nga Allen Cheng]

“Skuadra jonë nga Hong Kong bëri qasjen e parë dhe prezantoi zgjidhjen, që më duhet të nënvizoj është testuar në vende të tjera me sukses,” Cheng i tha BIRN. “Diskutimet më pas u ndoqën nga partneri ynë lokal MCN,” shtoi ai.

Sipas Cheng, gjatë këtyre “diskutimeve” projekti është zgjeruar në mënyrë që të adoptohet sa më mirë me situatën në Shqipëri, sepse çdo vend ka veçantitë e veta.

MCN është një kompani e teknologjisë së informacionit që operon në sektorin e telekomunikacioni, internetit dhe web-dizajnit. Kreu i MCN, Endri Meksi, ka dhe katër kompani të tjera të regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, QKR.

Në një nga këto kompani, e quajtur Pegasus Communications, Meksi është ortak me Olsi Ramën, vëllain e vogël të kryeministrit Edi Rama. Olsi Rama zotëron 35% të aksioneve të kompanisë Pegasus Communicatios, 35% kontrollohen nga Endri Meksi, dhe pjesa e mbetur zotërohet nga Amant Josifi.

Cheng i tha BIRN që për të operuar koncesionin, M.POS dhe partneri i tyre lokal do të përdorin një kompani që do ta regjistrojnë në Tiranë.

“M.POS Hong Kong dhe partneri ynë lokal do të regjistrojmë një kompani të formatit SPV në Shqipëri, siç është zakon për këtë lloj projektesh,” tha ai.

Entiteti për Qëllime të Posaçme (SPV sipas akronimit në anglisht) është një ent ligjor (zakonisht një kompani me përgjegjësi të kufizuara) që krijohet për të përmbushur një objektiv specifik apo të përkohshëm. SPV-të zakonisht përdoren nga kompanitë për të izoluar firmën mëmë nga çdo rrezik financiar.

Sipas Allen Cheng, propozimi që i është dërguar qeverisë shqiptare nga M.POS bazohet në produktin e tyre VAT Raffle. M.Tax Raffle është një sistem monitorimi i TVSH-së i cili ka gjithashtu të integruar lotarinë e kuponit.

Kreu i M.POS shprehet se si grupi i tij në Hong Kong dhe partneri i tyre në Tiranë janë shumë të ndjeshëm ndaj privatësisë së të dhënave që ato do të administrojnë, dhe që zgjidhja e propozuar prej tyre është konform me ligjin 9987/2008 për mbrojtjen e të dhënave personale. Cheng shtoi që projekti është gjithashtu në linjë me direktivat e BE-së për “E-invoice” si dhe udhëzimet OECD-së për programe kompjuterike kontabiliteti.

Cheng i tha gjithashtu BIRN se propozimi i tyre i bërë për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve do të kërkonte ndërrimin e kasave fiskale në Shqipëri.

“Që të funksionojë, nevojitet që makineri të reja POS të futen në treg, jo domosdoshmërish nga M.POS, por ne kemi propozuar tonat, së bashku me disa kasa fiskale,” tha ai.

Cheng mohoi të kishte politikan të përfshirë në skemën e saj dhe tha sa ky ishte një projekt teknologjik që do të ndihmonte Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve të rriste kapacitetet për të mbledhur TVSH-në.

“Ju konfirmoj me forcë që nuk ka asnjë politikan të lidhur me këtë projekt,” përfundoi ai./reporter.al

Debati në Kuvend për Byronë kombëtare të hetimit

Zëri i Amerikës mëson se projektligji i hartuar me ndihmën e ekspertëve amerikanë parashikon që fillimisht Byroja të jetë pjesë e strukturave policore, ndërsa pas miratimit të Reformës në Drejtësi të kalojë në varësi të Njësisë së posaçme antikorrupsion

Në Shqipëri, parlamenti u përfshi sot në debate lidhur me fatin e Byrosë kombëtare të hetimit. Opozita pretendon se një projekt i hartuar nga ekspertë amerikanë është në duart e qeverisë dhe kërkon të dijë se përse po vonohet miratimi. Por kryeministri Edi Rama tha se më parë ky projekt duhet të shqyrtohet nga Komisioni i Reformës në Drejtësi, për të parë nëse nevojitet që të miratohet ose jo në varësi të ndryshimeve të parashikuara kushtetuese. Lidhur me këtë debat,  Zëri i Amerikës ka mësuar se në bazë të projekt-ligjit të tanishëm ky institucion do të jetë fillimisht  pjesë e strukturave policore dhe pas kalimit të reformës në drejtësi do jetë pjesë e strukturës speciale anti korrupsion

Që kur Gjykata Kushtetuese rrëzoi Qershorin e vitit të kaluar ligjin për Byronë kombëtare të hetimit, ekspertë amerikanë nisën punën për hartimin e një projekti të ri që të përshtatej me vërejtjet e kësaj gjykate. Por tani, prej disa ditësh, opozita ka ngritur zërin duke u shprehur se projekti, sipas saj, është përfunduar nga ekspertët amerikanë dhe po zvarritet nga qeveria.

Këtë cështje e ngriti sot në parlament dhe kryetari i grupit parlamentar demokrat Edi Paloka: “Partia demokratike, është njohur me një projektligj. Ka dhënë dakortësinë e saj mbi këtë projektligj për Byronë kombëtare të hetimit. Në të njejtën kohë na është thënë dhe se Partia socialiste është njohur me prjektligjin dhe ka dhënë dakortësinë e saj. Unë këtë ngrita në Konferemcën e kryetarëve, për të ditur se ku jemi, pse nuk vjen ky projektligj në parlament meqënëse ka dakortësinë e të gjithëve”.

Nga ana e tij kryetari i parlamentit Ilir Meta tha se sipas tij nuk është e qartë se cilit variant i referohet opozita. “Mendoj që ky është një debat i panevojshëm, sepse nuk e kemi të qartë se për cilin variant bëhet fjalë. Por, atë variant për të cilin është dakord Partia Demokratike mund ta depozitojë në Kuvend sipas Rregullores së Kuvendit dhe ne do ta ndjekim atë me prioritet besoj”, tha zoti Meta.

Por kryeministri Edi Rama, duket se e kishte të qartë se për cfarë bëhet fjalë: “Dokumenti me të cilin ju keni rënë dakord është në dispozicion të Komisionit të Reformës dhe Komisioni i Reformës le ta diskutojë dhe le ta thotë fjalën e tij. Në momentin që Komisioni i Reformës thotë që ky dokument nuk ka lidhje, apo nuk e cënon, apo nuk është i tepërt, ndaj të votohet përpara votimit të paketës së parë të reformës, pra, të ndryshimeve kushtetuese, as mos u bëni merak, asfare, se do të votohet pa as më të voglin ngurrim”

Për deputetin demokrat Eduard Halimi deklarimi i kryeministrit ishte i pabesueshëm. “Kjo është hipokrizi. Nuk na le ne Komisioni i Reformës që të miratojmë Byronë?! Draftin e dakortësuar nga PD, të iniciuar dhe të shkruar nga partnerët amerikanë e ke që në datën 29 Tetor në tavolinë”, tha zoti Halimi duke ju drejtuar kryeministrit.

Por duket se projekti i hartuar me ndihmën e ekspertëve amerikanë ka parashikuar situatën që lidhet me reformën në Drejtësi, në mënyrë që Byroja e hetimit të nis funksionimin sa më shpejt. Zëri i Amerikës ka mësuar se projektligji parashikon që deri në miratimin e Reformës dhe ngritjen e institucioneve të parashikuara prej saj, Byroja të jetë fillimisht pjesë e strukturave policore dhe pas kalimit të reformës në drejtësi të përfshihet në strukturën e njësisë së posacme anti korrupsion.

Nga ana tjetër, deklarimet e përfaqësuesve të qeverisë kanë qenë të ndryshme lidhur me projektligjin. Një javë më parë, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri u shpreh se puna vazhdonte ende, dhe se ishte në fazën përmbyllëse. Ndërsa sot kryeministri Rama në parlament deklaroi se “ne e kemi mbaruar punën tonë”.

Masakra në Elbasan ende pa autorë

Policia vendos shpërblim prej 3 milion lekësh për këdo që jep informacion për ngjarjen ku u vranë 3 persona dhe 8 të tjerë u plagosën

Në Shqipëri policia dhe prokuroria po vazhdojnë hetime intensive lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur mbrëmë në Elbasan ku u vranë 3 vetë dhe 8 të tjerë u plagosën në një lokal, kur mbi ta persona ende të paidentifikuar qëlluan me breshëri automatiku.

Objektivi i sulmit mendohet të kenë qenë pjestarë të familjes Çapja të cilët prej shumë vitesh janë në hasmëri me një tjetër familje, Mema. Një konflikt i shoqëruar gjatë gjithë kësaj kohe dhe me viktima nga të dyja palët.

Mbrëmë nga familja Çapja, mbeti një i vrarë dhe tre të plagosur. Edhe policia ka folur për motive hakmarrjeje, por ende nuk ka të dhëna nëse atentatorët kanë lidhje me konfliktin mes dy familjeve.

Në vendngjarje u gjetën 65 gëzhoja, 3 armë automatike dhe 3 predha të kalibrit 7,62 milimetra. Policia ka ushtruar kontrolle të shumta në disa qytete ku janë kontrolluar dhe banesa të shumta si dhe ka shoqëruar mbi 40 persona. Sot u vendos dhe një shpërblim prej 3 milion lekësh për këdo që do të japë informacion për autorët e ngjarjes.

Blushi-Berishës: Je otomani i fundit komunist. Berisha-Blushit: Je tradhtar edhe i vetes tënde

Ben Blushi dhe ish-kryeministri Sali Berisha janë përplasur me njëri-tjetrin në Kuvend. Deputeti socialist akuzoi Berishën duke i thënë se “mos hy në punët tona të Partisë Socialiste”. Blushi e quajti ish-kryeministrin si “otomani i fundit komunist”.

Ka ardhur menjëherë edhe përgjigja e Sali Berishës. “Ti Blush je tradhtar”, u shpreh Berisha.

“Mos fol për politikë të jashtme, por fol dhe për ne. zotërinj, ne jemi në një garë, mos e mohoni, për një arsye tonën. Pyetja është: Po ti ç’punë ke? Se ti teserën e PPSH-së e ke lënë. Unë jam nga ata njerëz që e njoh punën tënde se çfarë ke bërë. Një isha 20 vjeç dhe isha kundër teje.

Një nga ata ishte Ed Selami, që e çove në Amerikë dhe ti I ke rrahur këta. Kurse mua s’po më lënë të rrah . Ç’punë ke ti me ne? kujton se kur ne bëjmë garë. Pse përzihesh ti me punët tona. Ed selamin ti e çove në emigracion. Me kë ke bërë garë ti ën 25 vjet. Dhe arsyeja që unë po dal sot është se modeli yt në 25 vjet o nxirrje jashtë, ministrin tënd të Jashtëm e rrihje, rivalët e tu I rrihte në zyrën tënde, dhe unë jam sot kundër kundër dhe kërkoj garë është se modeli yt nuk dua të përsëritet. Nuk mund të dalësh ti sot që demokracia që s’e ke pasur ti në 25 vjet, të vijë tek ne. të çohesh këtu të më bësh moral sesi ta bëj garën më mirë brenda Partisë sime….Do çohesh prapë ? Ok, nëse çohesh e thua se si I trajton rivalët e tu…si e nxore Ed Selamin në Emigracion, si e ndalove Genc Rulin, si e mëson Lulin nga mëngjesi në darkë….Unë do të jem kundër teje sepse ti je një otoman komunist dhe në Ballkan je i fundit”, u shpreh Blushi.

“Me Blushin kam njohje të vjetër. Kam njohje të vjetër dhe në çdo rrethanë, absolutisht, unë disa anë të tij, i vlerësoj. Por në politike nuk dua të citoj veten time, por nuk mund të citoj veten dhe as ta le pa cituar. Edhe po spati njeri [për të tradhtuar- tradhton veten e tij. Harroje ti se unë shpenzoj qoftë dhe një çerek fjale të vetme të ndihmoj ty. Blush ti je një tradhtar kur s’ke njeri të tradhtosh ti tradhton vetveten”, u shpreh Berisha.

Balla-Berishës: Zagani rrihte Genc Pollon me urdhrin tënd

TIRANE – Deputeti socialist Taulant Balla iu përgjigj akuzave të ish-kryeministrit Berisha për moszhvillimin e zgjedhjeve brenda PS-së, duke thënë se ish-kreu i PD-së është i vetmi që nuk mund të flasë për këtë çështje, pasi gjatë kohës që drejtonte demokratët, dhunonte çdokënd që konkurronte përballë tij. Balla tha se Berisha urdhëroi Dritan Zaganin të rrihte Genc Pollon, sepse konkurronte përballë tij për drejtimin e PD-së.

“Unë nuk di që në rend dite të kësaj seance është statuti i PS-së. Zotërisë parafolës do ti tërhiqja vëmendjen edhe ju zoti drejtues i seancës, sepse drejtohen me fyerje të paimagjinueshme. Zotëri në këtë krah nuk ka zagar. Nëse ke zagar brenda vetes mbaji për vete. Kërkoi falje çdo deputeti të PS-së. Meqë të dhimbset shpirti ty për PS-së, prit kongresin e partisë, po deshe të çojmë dhe një ftesë të vish të shikosh si zhvillohet kongresi, ose shikojë nga televizori. Ai Genc Pollo ka ngrënë dajak kur tentoi të konkurronte. Ky polici që ke nxjerrë hero, Zagani i famshëm me urdhrin tënd shkonte rrihte Genc Pollon, sepse konkurronte përballë teje. Gjithë Shqipëria e di që mikun tim, koleg të Librazhdit, pas referendumit e degdise si fajtor për humbjen e referendumit. Ku e ke Astrit Patozin. E kisha 3 metra kutinë e votimit për kryetar partie tha, nuk mora mundimin të votoja, se Lulzim Bashën e kishte caktuar kryetar partie Sali Berisha. Na bën ti dëngla ne për parti, ti që je mallkimi më i madh po politikën shqiptare.”- deklaroi Balla.

1.3 milion përdorues të Facebookut në Shqipëri, rritje 16% më 2015

Me zhvillimin e teknologjisë dhe rritjen e aksesit në internet, kudo në botë u rrit edhe shkalla e penetrimit në rrjete sociale, dy ndër më të aksesuarit që janë Facebook dhe Instagram.

Në bazë të raportit të fundit të ‘Internet World Stats’, të dhënat e nëntorit të vitit të shkuar tregojnë se në Shqipëri numri i përdoruesve të rrjetit social Facebook ka arritur 1.3 mln, me një rritje prej 16 % rritje krahasuar me vitin 2014, numri gjatë të cilit ishte 1.1 mln.

Sipas një krahasimi rajonal, shqiptarët nuk rezultojnë përdoruesit më aktivë të Facebookut.

Shqiptarët e kanë 44.9 % shkallën e penetrimit të këtij rrjeti social, duket se performancë më të ulët kanë treguar Kosova, me 31 %. Edhe përdoruesit e Bosnjë-Hercegovinës kanë një shkallë më të ulët penetrimi, prej 39.2 %.

Shtete të tjera fqinje si Maqedonia kanë shkallë të lartë penetrimi, prej 46.5 % dhe Serbia me 50.6 %.

Mali i Zi udhëheq në rajon me 51.4% shkallë penetrimi në rrjetin social Facebook.

Basha – ja lidhjet e Edi Ramës me Emiljano Shullazin

Fakti që ekziston vetëm dokumenti i daljes së makinës së blinduar të Emiljano Shullazit, dhe jo dokumenti i futjes së mjetit, është provë e lidhjeve të Edi Ramës me Shullazin, tha sot Lulzim Basha në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike.

Pikërisht për lëvizje të tilla është emëruar si Zv/ Drejtor i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Qebini thotë kreu i opozitës. Sipas tij, Qebini u largua nga Komisariati i Kavajës pas dyshimeve të forta se ishte i përfshirë në trafikun e drogës.

besmir_qebini_16541

Besmir Qebini

“Shembull ilustrues fuqisë së bandave mbi dyshen Rama- Tahiri dhe i degradmit të skajshëm të kësaj qeverisjeje, është  emërimi në postin e Zv/drejtorit të Përgjithshëm të Doganave, të njëfarë Besmir Qebini, i larguar nga Komisariati i Kavajës për shkelje të rënda dhë për dyshime të forta, si i përfshirë në trafikun e drogës. Prej disa javësh ky person, dhe përmes këtij personi klani kriminal që e ka promovuar, ka në dorë jo vetëm kontrabandën por edhe Antikontrabndën dhe Hetimin Doganor, pra ka në dorë cdo lehtësi për trafiqet e drogës, armës dhe cdo lloj kontrbande tjetër. Dhe nuk është fare rastësi që pas këtij emërimi, padroni i Saimir Tahirit, Emiljano Shullazi u fut, jo doli, por u fut nga pika e kalimit kufitar në Durrës me një mjet të blinduar, as u kontrollua, as u ndalua.

Pas ne e denoncuam këtë fakt, Edi Rama vuri në lëvizje të gjithë shtetin dhe prodhoi një dokument që në fakt, vërteton denoncimin tonë. Prodhoi dokumentin e daljes së Audi-t Q7, por jo hyrjen e makinës së blinduar. Dhe me këtë mashtrim, Edi Rama konfirmoi edhe njëherë para qytetarëve, para opozitës, para partnerëve tanë zyrtaroisht lidhjet e tij me Shullazin” tha Basha.

makina5

Rama bllokohet në ashensorin e Metës, ia fikin dritat

Kryeministri Rama ka përjetuar në situatë jo të këndshme gjatë takimit me aleatin e tij Meta në zyrën e këtij të fundit. Si çdo të mërkurë, Rama shkoi të takonte Metën në Kryesinë e Kuvendit.

Por, duke u ngjitur për në zyrën e kryeparlamentarit, Ramës i kanë fikur dritat e ashensorit dhe ia kanë rikthyer për pak sekonda.

Më pas, Kryeministri doli nga ashensori dhe u fut në zyrën e Ilir Metës, për të vijuar takimin me të. Nuk është hera e parë që Meta “bën të tilla shaka” me Ramën.

Para 1 muaji, Kryeministri ishte nisur për të takuar kryetarin e Kuvendit, nga godina e Kryeministrisë tek Kryesia e Kuvendit, kur është detyruar të kthehej nga rruga, pasi Meta i anuloi takimin.

Ja si e shmang Rama kandidimin e Blushit

Në Kongresin e marsit, delegatët e Partisë Socialiste do të miratojnë edhe ndryshimet statutore.

Ndryshimet synojnë t’i japin fund debatit të iniciuar nga Ben Blushi, i cili kërkon zgjedhje brenda partisë.

Në modelin e ri që pritet të miratohet, në rast se partia fiton zgjedhjet, mandati i kryetari rikonfirmohet automatikisht dhe kryetari i Partisë është automatikisht edhe kryeministër i vendit. Statusi pritet të ndryshohet në 6 pika, ndërsa degët e partisë do të jenë 61, aq sa është edhe numri i njësive vendore në vend.

Ndryshimet do të prekin edhe mandatin e kryetarit të partisë së degës, i cili do të paguhet nga të ardhurat e partisë me rrogë të plotë, ndërsa nuk do të mund të angazhohet në një pozicion tjetër në administratë.

Hartuesit e draftit të ri të drejtuar nga Fatmir Xhafaj dhe disa deputetë të tjerë të PS-së, kanë përkthyer disa drafte nga partitë si motra në Evropë, ndërsa rasti i laburistëve britanikë është më i preferuari.

Në statutin aktualisht të partisë në nenin 30, pika 2 parashikohet: “Mandati i Kryetarit të Partisë është 4 vjet. Mandati i tij ndërpritet para kohe kur: a. jep dorëheqjen; b. partia humbet në zgjedhjet e përgjithshme legjislative; c. humbet në mocionin e mosbesimit të zhvilluar për të me kërkesën e 1/3 së anëtarëve të partisë. Mocioni administrohet nga Komisioni i Zgjedhjeve të Partisë (KZP).

Zjarri masiv në një pallat në Tiranë, humb jetën fëmija 4 vjeç

Ka rezultuar tragjik zjarri i rënë në katin e 7 të një pallati në zonën e ‘Unazës së Re’ pranë ‘Astirit’ në Tiranë, në banesën në pronësi të shtetasit A.Nezha.

Një fëmijë 4 vjeç ka humbur jetën, ndërsa janë evakuuar prindërit dhe fëmija tjetër 7 muajsh. Pavarësisht ndërhyrjes së forcave zjarrfikëse nuk është bërë i mundur shpëtimi i 4 vjeçarit.

Të gjithë banorët e pallatit u evakuuan nga policia për të shmangur çdo incident të mundshëm.

Por, një banor i pallatit ka deklaruar për News 24 se nuk ishin zjarrfikësit ata që bënë të mundur evakuuimin e 3 personave që ndodheshin brenda banesës në flakë. Sipas banorit, zjarrfikësja u vonua mbi 30 minuta, dhe kanë qenë banorë të tjerë që bënë të mundur largimin nga flakët të familjes Nezha.

Ai thekson se zjarrfikësve u është bërë e ditur se brenda në banesë kishte ende persona, por ata insistonin se ajo ishte bosh. Trupi i pajetë i fëmijës është gjetur në ballkon.

“Kur po ngjisja shkallët, njoftova dhe zjarrfikëset. bashkë me mua ishin dhe dy efektivë, bëmë të pamundur që të shuanim zjarrin. Por zjarrfikësja u vonua mbi 30 minuta, Nuk po them se është faji i zjarrfikëses, por s’ka shërbim ambulator. Moment kur erdhi zjarrfikësja, disa nga familjarët që ishin në pallat ndihmuan çiftin të dilnin. Nuk hipnin mjekët në pallat. Gjysmë ore që të hapeshin tubat e ujit. në momentin kur dolën familjarët, pyetëm se kush do ti transportonte. Çifti u transportua me furgon mallrash, jo me ambulancë. Foshnja është nxjerr nga një banor, dhe është strehuar këtu. Shefi i Policisë thoshte se nuk ka njeri brenda, ne insistuam dhe i thamë se aty kanë njeri brenda. Më pas na thanë se fëmija kishte vdekur. Ishte gjetur në ballkon. Akoma se dimë nëse fëmija ka dalë nga apartamenti apo jo.”, tha banori i zonës, i cili ka qenë dhe dëshmitar okular i ngjarjes.

Tiranë: Dënohet piloti italian i avionit të drogës

Policia shqiptare në Lazarat gjatë aksionit në muajin qershor të vitit 2014

Një gjykatë në Shqipëri e ka dënuar një pilot italian me 15 vjet burgim, pasi është shpallur fajtor se nga trafikantët kishte tentuar të merrte gati gjysmë tonelate kanabis të rritur në Shqipëri

Giorgio Riformato, është arrestuar në maj të vitit 2014, pasi që bashkë me aeroplanin e tij të vogël, kishte zbarkuar në plazhin e Divjakës, rreth 80 kilometra në jugperëndim të Tiranës.

Policia kishte shkuar në vendin e ngjarjes ndërsa e kishte zbuluar se Riformato donte të merrte kanabis nga një qytetar shqiptar.

Piloti i ka mohuar akuzat duke thënë se kishte ateruar për shkak të problemeve tenike në makinën e aeroplanit.

Ai pritet të bëj ankesë ndaj vendimit të shqiptuar të hënën.

Në vitin 2014, Shqipëria e ka nisur një ofensivë kundër kultivuesve të marihuanës.

Ben Blushi: Kam edhe deputetë të tjerë

Deputeti Ben Blushi pretendon se ka edhe deputetë të tjerë që e mbështesin por janë të detyruar të heshtin.

Teksa sot reagoi deputetja Mimoza Hafizi në mbështetje të Blushit, deputeti që pretendon të kandidojë për kryetar Partie thotë se shumë nga ata që e mbështesin janë të detyruar të heshtin pasi kanë frikë.

“Ka edhe deputetë të tjerë që duhet të flasin, të mos kenë frikë.

Unë dua që PS të kthehet në parimet e së majtës. Shpresoj të mos penalizohen deputetët që më mbështesin”, tha ai.

Fiks Fare: Greqia e ushqen Shqipërinë me pula për skartim

Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti ka urdhëruar pezullimin për dy javë të importit të shpendëve të gjalla, pas denoncimit mbrëmjen e së hënës në emisionin “Fiks Fare”, ku tregohej se si pulat për skartim në Greqi përfundonin në tavolinat tona.

“Ministri i Bujqësisë ka urdhëruar edhe inspektimin veterinar të detyrueshëm të shpendëve në kufi, deri në garantimin dhe verifikimin e origjinës”, thuhet në një komunikatë për shtyp.

“Fiks Fare” bëri një tjetër investigim, duke çuar gazetarene tyre në Janinë ku ndodhen një numër i madh pularish. Ajo tentoi sërish të blejë atë lloj pule që është për skartim, pula të cilat edhe sot nuk lejohen të hyjnë në vendin tonë.

Mesila Doda-Mimoza Hafizit: Rrugë e vështirë të pret, por do jesh e çliruar nga mëkati i heshtjes

TIRANE -Ish-deputetja demokrate Mesila Doda, ka mbështetur kolegen e saj socialiste Mimoza Hafizi, e cila ka vendosur të dalë publikisht në mbështetje të Ben Blushit.

Doda i shkruan Hafizit se e pret një rrugë e vështirë. Por, sipas Dodës, ajo do të jetë e çliruar nga mëkati i heshtjes. Doda thotë se flet nga përvoja personale, duke qenë se ajo u përjashtua nga Partia Demokratike.

“Rrugë e vështirë zysh Moza… do kesh shumë vështirësi, por tek e fundit do jesh e çliruar prej mëkatit të heshtjes. Ta them për eksperiencë”, i shkruan Doda koleges socialiste.

Shkodër, arrestohet kreu i Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme

Policia e Shkodrës njoftoi sot në mesditë ndalimin e kreut të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Shkodër, Shkëlzen Berisha. Ndalimi i tij u bë me urdhër të Prokurorisë së Shkodrës nën dyshimin se ka konsumuar elementët e veprës penale ”shpërdorimi i detyrës” dhe ”kallëzimi i rremë”.

Ndalimi i drejtuesit të ZVRPP Shkodër lidhet me regjistrimin fiktiv të një sipërfaqeje prej 8000 m2 në Theth, një nga zonat më të njohura të turizmit malor në Shqipëri.

Sipas organit të akuzës, nga veprimet proceduriale të deritanishme, Prokuroria e Shkodrës ka krijuar dyshime të arsyeshme se regjistruesi Shkëlzen Berisha, në bashkëpunim me topografin dhe juristin e Hipotekës, kanë regjistruar një pronë shtetërore prej 8000 m2 në fshatin Theth në emër të një shtetasi, i cili as nuk kishte aplikuar dhe as nuk ka pretendime për atë sipërfaqe. Në lidhje me këtë çështje, gjykata ka vendosur masën e arrestit në burg për juristin e kësaj zyre dhe masën detyrim paraqitje për topografin e saj.

Vetëm 10 ditë më parë, Kontrolli i Lartë i Shetit kallëzoi në Prokurori 14 zyrtarë të Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Shkodër, mes të cilëve edhe për 4 ish drejtuesit e saj të mëparshëm, të cilët, sipas KLSH kanë dhënë çertifikata pronësie për prona nën sekuestro.

Ndaj tyre rëndon akuza e shpërdorimit të detyrës, duke i shkaktuar shtetit një dëm ekonomik me vlere prej 5.8 milionë lekësh.

Ndërkohë, Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, Adritik Llalla, gjatë analizës vjetore të punës së Prokurorive të Shkodrës, Kukësit dhe Lezhës, zhvilluar pak ditë më parë në Shkodër, tërhoqi vemendjen rreth rasteve të shumta të abuzimit me pronat shtetërore në Shkodër dhe Lezhë.

Gjatë viteve të fundit, një numër jo i vogël zyrtarësh të hipotekave apo komisioneve të regjistrimit të pronave janë arrestuar në Shqipëri nën akuzën e abuzimit me pronat shtetërore, sidomos në zonat turistike, por pjesa më e madhe prej tyre janë lënë të lirë nga gjykatat.

Besimi tek qeveria Rama – në rënie të vazhdueshme

Instituti për Demokraci dhe Ndërjetësim publikoi sot një sondazh, sipas të cilit besimi i opinionit publik tek institucionet kryesore të qeverisjes është në rënie të vazhdueshme dy vitet e fundit.

Mbi 50% e të anketuarve nuk shprehin besim ndaj pjesës dërrmuese të institucioneve publike shqiptare.

Sipas sondazhit të Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim, besimi te Gjykata ka rënë nga viti në vit me një për qind, besimi të Partitë ka rënë me 4 për qind, besimi te Parlamenti ka rënë me 7 për qind, besimi te Shëndetësia ka rënë me 5 për qind, besimi te Arsimi ka rënë me 4 për qind, besimi te Qeveria ka rënë me 3 për qind.

Në tërësi ata kërkojnë transparencë më të madhe mbi përdorimin e financave.

Studiuesit vërejnë që ndërsa besimi ndaj institucioneve të shërbimit është në rënie, qytetarët besojnë më shumë tek institucionet e sigurisë: NATO dhe BE dhe policia kanë një rritje prej 3-5 për qind, ndërsa u rritur me 7 për qind besimi te institucionet fetare.

Sondazhi i Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim zbuloi se qytetarët kërkojnë politika transparente, procese gjithëpërfshirëse dhe mekanizma të llogaridhënies.

Shoqëria shqiptare ka një hendek shumë të madh midis ligjërimit politik të përditshëm dhe asaj që besojnë qytetarët.

Shqiptarët besojnë përherë e më shumë tek institucionet ndërkombëtare si NATO dhe BE, si parandaluese dhe zgjidhëse të krizave, se sa ato tek institucionet e shtetit të tyre.

Sipas tij, besimi i qytetarëve tek forcat politike është më i ulti në rajon, ky besim sa vjen e ulet dhe kjo tregon se partitë nuk janë demokratike, por janë klienteliste.

Qytetarët janë të zhgënjyer sepse partitë ndikojnë fort në vendim-marrje, duke penguar institucionet që të zbatojnë ligjin, thotë zoti Krasniqi.

Ai shtoi se besimi i qytetarëve tek gjykatat dhe tek parlamenti vazhdon të bjerë, ndërkohë që reforma në drejtësi pritet të kryhet nga ky parlament përherë e më pak i besueshëm. Partitë nuk bëjnë transparente burimet e financimeve të tyre.

Besimi i qytetarëve tek parlamenti është i ulët kryesisht për shkak të mënyrës se si trajtoi ligjin e dekriminalizimit.

Besimi i tyre është më i lartë te forcat e sigurisë dhe sa vjen e ulet më tej te institucionet e shërbimit, ku në fakt pritet të duket cilësia e qeverisjes.

Specialistja: Mushkonjat e virusit Zika gjenden edhe në Shqipëri

Virusi Zika është shfaqur për herë të parë në vitin 1947 dhe që atëherë nuk ka hyrë asnjëherë në vendin tonë, ndonëse nuk përjashtohet mundësia për të mbërritur edhe në Shqipëri. Në një intervistë për gazetën “Shqip”, Eugena Tomini, specialiste e sëmundjeve infektive në Institutin e Shëndetit Publik sqaron se pavarësisht se virusi Zika është përhapur në 24 vende të Amerikës Latine, ndërsa disa raste janë regjistruar edhe në Europë, në vendin tonë nuk ka ende vend për panik. “Virusi Zika është një virus, që shkakton anomali te fetusi gjatë 3-mujorit të parë të shtatzanisë.
Përhapet me anë të mushkonjave, që gjenden edhe në Shqipëri. Pra, virusi që në vendet e Amerikës Latine po kthehet në epidemi, rrezikon edhe Shqipërinë. Mushkonja tigër, një nga vektorët që e transmeton këtë virus, ndodhet në vendin tonë, madje sipas specialistëve, ajo gjendet edhe në ambientet e shtëpive”, deklaron Tomini. Specialistja e sëmundjeve infektive në ISHP u bën thirrje qytetarëve shqiptarë kudo ndodhen që të shmangin udhëtimet drejt Brazilit dhe vendeve të Amerikës Latine në veçanti, si një masë për të parandaluar infektimin nga ky virus, i cili ndonëse jo vdekjeprurës, shkakton dëmtime të mëdha në tru. Ndërsa vendet e Amerikës Latine, aktualisht më të prekurat nga virusi Zika, kanë ndërmarrë politika shëndetësore që ndalojnë shtatzënitë deri në vitin 2018.
Çfarë është virusi Zika?
Virusi Zika ka alarmuar Organizatën Botërore të Shëndetësisë. Ai është përhapur në masë në 24 vende të Amerikës Latine. Por, disa raste janë gjetur edhe në Evropë. Është një virus, që shkakton anomali te fetusi gjatë 3-mujorit të parë të shtatzënisë. Përhapet me anë të mushkonjave, që gjenden edhe në Shqipëri. Mikrocefalia, patologjia që shkakton virusi Zika, është një ndër problemet më të rralla me të cilat lindin bebet. Problematikat shëndetësore për një të lindur me mikrocefali janë të ndryshme. Pavarësisht rrezikut që përbën ky virus, në Shqipëri dhe në vendet e tjera të Evropës autoritetet shëndetësore thonë se nuk ka vend për panik.
A është e rrezikuar Shqipëria nga ky virus?
Virusi Zika që në vendet e Amerikës Latine po kthehet në epidemi, rrezikon edhe Shqipërinë. Mushkonja tigër, një nga vektorët që e transmeton këtë virus, ndodhet në vendin tonë, madje sipas specialistëve, ajo gjendet edhe në ambientet e shtëpive.
A transmetohet ky virus nga njeriu te njeriu?
Po, mund të transmetohet, por që virusi të transmetohet te njeriu, mushkonja duhet të ketë pasur kontakt më parë me një person të infektuar.
Çfarë pasojash shkakton virusi Zika?
Infeksioni viral mund të kalojë edhe në mënyrë asimtomatike, por nëse klinika shfaqet ajo paraqitet me temperaturë, dhimbje të forta muskujsh dhe shenja të kuqe në trup, të cilat zgjasin për 2-7 ditë. Duhet theksuar, personat e prekur nga ky virus nuk kanë rrezik për jetën, por komplikacionet e tij si sindroma Gullian Barre dhe mikrocefalia te foshnjat kur gratë preken nga virusi më shumë gjatë tremujorit të parë të shtatzënisë përbëjnë një problem madhor për shëndetin publik.
Dyshohet që dikur ky virus ka ekzistuar edhe në vendin tonë. Regjistrohen të dhëna?
Deri tani në Shqipëri nuk ka raste të konstatuara me virusin Zika, madje që kur është zbuluar në vitin 1947, ai nuk ka hyrë asnjëherë në vendin tonë.
Çfarë masash duhet të marrim për të mos u infektuar?
Në këto momente i bëjmë apel popullatës në mënyrë të veçantë grave shtatzëna, të shmangin udhëtimet drejt Brazilit, vendeve të Amerikës Latine në veçanti.
Kur është shfaqur për herë të parë ky virus në botë?
Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, virusi “Zika” ka hyrë edhe në Europë si në Francë, Mbretërinë e Bashkuar, Danimarkë, Itali, Zvicër nga persona udhëtarë, të cilët kanë qenë në vendet e Amerikës Latine. Ndërsa në Brazil, Kolumbi e shtete të tjera ajo po prek në masë popullatën, përfshi edhe gratë shtatzëna. Dëmtimet në trurin e të porsalindurve nga virusi Zika kanë detyruar disa vende të Amerikës Latine të ndërmarrin politika shëndetësore të atilla, duke ndaluar shtatzënitë deri në vitin 2018.

FMN: Shifra e frikshme e borxhit real të Shqipërisë

Përllogaritjet e Fondit Monetar Ndërkombëtar tregojnë se zgjerimi i mbulimit me raporte fiskale të korporatave publike do të çojë në rritje të ndjeshme të borxhit dhe deficitit.

Po të ndodhte kjo detyrimet e sektorit publik do të arrinin në rreth 119 për qind të PBB-së, ndërsa ato të qeverisjes së përgjithshme (borxhit dhe llogaritë e pagueshme) do të arrinin në rreth 83 për qind të PBB-së, referon Fondi Monetar Ndërkombëtar në raportin e fundit mbi Transparencën Fiskale.

Në vitin 2013, Banka e Shqipërisë dhe korporatat e tjera publike (përfshirë kompanitë e energjisë elektrike) shënuan një humbje me 6.8 për qind të PBB-së, krahasuar me 5.2 për qind të deficit që krijoi qeveria e përgjithshme. Edhe pse detyrimet e korporatave publike janë të konsiderueshme, ata nuk janë shuma të larta krahasuar me standardet ndërkombëtare, raporton Fondi.

Qeveria ka hyrë garant për borxhet që kanë marrë ndërmarrjet në pronësi të saj të tilla ( KESH, OSHEE, ujësjellës etj), por nuk ka asnjë raport mbi financat e korporatave publike, vlerëson FMN.

Bilancet dhe pasqyrat financiare të korporatave të veçanta publike, si edhe të kompanive të tjera aksionare, janë botuar përgjithësisht tek Qendra Kombëtare e Regjistrimit.

Pronësia e 255 korporatave publike është shpërndarë ndërmjet ministrive të ndryshme dhe pushtetit vendor.

Ministria e Ekonomisë është përgjegjëse për administrimin e pronës publike, por kjo nuk përgatit pasqyrat financiare të konsoliduara të korporatave publike dhe për pasojë nuk dihet se sa është i ekspozuar portofoli i qeverisë ndaj kompanive publike, vëren FMN.

“Korporatat publike kanë krijuar rreziqe të mëdha fiskale. Edhe pse sektori është më i vogël se në shumë vende të avancuara evropiane, qeverisja dhe përformanca financiare e kompanive është e dobët. Ata operojnë sipas ligjit tregtar, por disa, veçanërisht ato të energjisë elektrike dhe sektorët e ujësjellësit janë me humbje dhe i janë drejtuar buxhetit të shtetit duke marrë financime të tërthorta nga buxheti” konstaton FMN, citon Monitor.

Sektori i energjisë elektrike ende është në telashe të mëdha pas privatizimit të dështuar. FMN vlerëson se sektori pritet të ketë nevojë për mbështetje buxhetore deri në vitin 2019.

Sali Berisha reagim pas Xhavit Halitit, jo për faj të Sali Berishës por të Edi Ramës

Voal – Pas deklaratës të Xhavit Halitit se për kalimin e rezolutës fajin e kishte Berisha, Sali Berisha reagon në faqen e tij të rrjetit social Facebook:

Sali Berisha sqaron se nga data 26 qershor 2013 ai ka dhënë dorëheqjen nga çdo funksion tjetër në PD, pra dhe përfaqësim të saj, përveçse deputet në parlamentin shqiptarë. Nisur nga ky vendim, caktimi si anëtar i delegacionit të Parlamentit të Shqipërisë dhe se vendin e tij e ka zënë prej asaj kohe deputeti Oerd Bylykbashi i cili ka qenë në çdo sesion të asamblesë parlamentare të KE-së si anëtar me të drejtë vote, pra me te drejta të plota.

Ai ka shtuar se nuk është i akredituar për të marr pjesë në sesionet e KE-së duke thënë se nuk ka lidhje me përfaqësimin e PD-së në këtë asamble.

Në lidhje me Oerd Bylykbashin, Berisha ka thënë se ai ka marre pjesë dhe në seancën e fundit dhe ka votuar kundër amendamenteve serbe, dhe kundër rezolutës.

Më tutje Berisha vazhdon në Facebook:

“Nje deshtim i hidhur, i pamerituar per Kosoven ne Strasburg, por si te thuash edhe i ndihmuar me qellim nga Edvin Kristaq Rama!

Te dashur miq,  ne Strasburg, Asambleja Parlamentare e Keshillit te Europes (APKE) miratoi nje rezolute qe per deshtimin tone dhe suksesin e serbeve, kerkon rritjen e rolit te UNMIK-ut ne Kosove. Ky ishte nje deshtim i hidhur dhe i pamerituar per Kosoven dhe shqiptaret ne teresi, qe u lehtesua e ndofta u be i mundur nga qendrimi i papergjegjshem i qellimshem antishqiptar i Edi Rames.

Rezoluta per Kosoven kishte muaj qe pregatitej dhe kjo dihej zyrtarisht. Diskutimi paraperfundimtar i saj ishte caktuar te behej me dt 8 dhjetor 2015 ne Komitetin Politik te APKE qe eshte dhe komiteti me kryesor i kesaj asambleje. Ky komitet perbehet nga te gjithe kryetaret e delegacioneve te vendeve anetare te Keshillit te Europes. Anetarja e ketij komiteti, kryetarja e delegacionit shqiptar, zonja Valentina Leskaj me urdher te Edi Rames, ne nje akt te papergjegjshem dhe antishqiptar nuk shkon ne mbledhjen e komitetit politik qe u zhvillua me dt 8 dhjetor 2015 ne Bruksel ku do te diskutohej rezoluta per Kosoven.

Perfaqesuesi i Serbise, duke perfituar nga kjo mungese arrin te propozoje dhe miratoje ne ate mbledhje tre amendamente qe nuk ishin ne rezolute dhe qe demtonin jo pak Kosoven, nder te cilet edhe amendamenti qe ben thirrje per rikthim te rolit te UNMIK-ut ne Kosove. Sigurisht ky ishte nje sukses i perfaqesuesit te Serbise, i lehtesuar dhe bere i mundur nga mungesa e perfaqesuesit te Shqiperise ne mbledhje. Denoj me ashpersine me te madhe qendrimin e papergjegjeshem dhe antishqiptar te koordinuar me Beogradin te Edvin Kristaq Rames, per mosdergimin me dt 8 dhjetor ne komitetin politik te APKE te perfaqesueses shqiptare. sb

Nëse themi TIRANA SMART, minimalisht do kishim folur për PARKIME për BIÇIKLETA – Nga Eltjana SHKRELI, planifikuese urbane

Para disa ditësh Tirana, kryeqyteti dinamik organizoi konferencën e rradhës “Tirana Smart City”, ku u tha se 112 projekte konkrete në 5 fusha presin investimet. Nuk po ndalemi te dilema, sesi u shkruajtën 112 projekte në një hark kohor vetëm 6  muaj që kur Bashkia e re e Tiranës ndërroi pushtetin dhe për më tepër që njësitë e qeverisjes vendore janë në proces të plotë ristrukturimi për shkak të reformës territoriale?!

Në fakt, nga titulli dukej nismë intriguese dhe ambicioze, pavarësisht se boria e makinës filloi të lëshonte alarmin që aty në sallë –TIRANA [me] MAKINA. Gjithsesi për të mos u treguar skeptike, dua të besoj që vërtet Bashkia e Tiranës me stafin e vet të veprojë në këtë parim ‘qytet inteligjent’ (angl.  ‘smart city’), por  që më parë duhet ta njohë mirë çfarë nënkupton. Nismat e rritjes ‘smart’ identifikojnë marrëdhënien mes modeleve të zhvillimit dhe cilësisë së jetës duke zbatuar politika dhe praktika të reja që nxisin zhvillim ekonomik, transport dhe ruajtje të cilësisë së mjedisit. E them këtë sepse parimi me veprimin bien shumë ndesh që në momentin kur propozojmë projektin mbi ‘parkim makinash’ pra hapni vend për mjete të motorrizuara, e thënë ndryshe kontradiktore me ç’ka u përmend më lart…  Edhe për më tepër që një prej parkimeve propozohet në qendër të qytetit, pikërisht brenda ‘Unazës së Vogël’, e cila në planet ekzistuese të kryeqytetit referuar transportit propozohet të jetë krejtësisht hapësirë pa makina, me qëllim që qendra e kryeqytetit të çlirohet prej tyre. Pastaj ne kemi vite qe trumbetojmë konkurse ndërkombëtare që hartojnë Plane (si, rasti i Planit francez për Qendrën e Tiranës) dhe nuk dëgjuam nëse iu referuan këtij instrumenti ligjor apo jo?! Nuk mjafton kaq por dëmtojmë një park, hapësirë e gjelbër, që mbart memorie kolektive për kryeqytetin dhe ndër të paktat hapësira që i ka ngelur. Pavarësisht se justifikohet më faktin e ‘parkimit të fshehur’ kjo nuk do të thotë që edhe projekti duhet të hartohet, konsultohet apo ‘zhvillohet fshehurazi’: pa e parë kush, pa e konsultuar më kënd, pa ditur se çfarë rezultati dhe impakti socio-ekonomik dhe mjedisor do të ketë…

Parimi ‘smart city’ synon të krijojë qytet kompakt duke i zvogëluar distancat, pra të kundërtën e fenomenit të shtrirjes së pakontrolluar urbane (angl. ‘urban sprawl’), ku për 25 vite e ka prekur ndjeshëm edhe Tiranën. Moskontrolli i territorit dhe keqmenaxhimi i përdorimit të tokës  kanë bërë që kryeqyteti të humb formën e vet kompakte që kishte para viteve ’90.  Shtuar edhe reformën territoriale, Tirana tashmë shtrihet edhe më në sipërfaqe duke u shumëfishuar sfida për menaxhimin e lëvizjes urbane dhe interurbane: rrjedhjet e trafikut dhe aksesibiliteti. Një nga pikat kyçe që ‘smart city’ nxit me forcë janë politika të mënyrave të lëvizjes së qëndrueshme, pra ecje në këmbë, pedalim, transport publik duke zvogëluar distancat. Kjo qasje drejtpërdrejt do ndikojë në uljen e përqindjes së transportit privat (me makina), do të ulë përqindjen e lëshuar të gazrave të cilat ndikojnë në përmirësimin e cilësisë së ajrit, do të rrisë aksesueshmërinë pra do kursejë kohë për lëvizjen nga shtëpia në punë dhe jo vetëm, do të ulë ndjeshëm numrin e aksidenteve, do të ketë efiçiencë për xhepat e familjarëve, do nxisë socializimin dhe lëvizjen aktive të njerëzve që ndikon në shëndetin e tyre fizik dhe mendor etj. Ndër më kryesoret mbetet çlirimi i hapësirës nga mjetet e motorrizuara, që nënkupton më pak rrugë dhe parkime për makina dhe më shumë hapësirë për njerëzit.

Nga ndotja mbi norma që ka Tirana sot, kryesisht nga rritja e madhe e numrit të makinave, këto 4-5 vitet e fundit ka një vullnet nga ana e komunitetit, kryesisht të rinjtë për një lëvizje eko. Tërë kjo qasje nuk vjen nga politikat e qeverisjes lokale, por rrjedh si një vetëndërgjegjësim, pasi banorët kanë nevojë për ajër më të pastër, për lëvizje më aktive dhe më pak të kushtueshme. Edhe pse çdo moment pedaluesit përballen me rrezikun e aksidentit, përsëri vërehet ndjeshëm se numri i biçikletave në Tiranë është shtuar.

Vetëm për ndërgjegjësimin e europianëve, sot BE-ja ka parashikuar 6 bilion euro nga buxheti (2014-2020) për ndërgjegjësim dhe nxitje të ekonomisë së pedalimit duke synuar dukshëm rritjen e një motorri rrije dhe punësimi. Është interesante të përmendet fakti që nëse këto lëvizje sociale ndodhin aktualisht në vendet anëtare të BE-së përgjithësisht të nxitura nga qeverisjet qëndrore dhe lokale, tek ne kanë filluar veçse nga komuniteti dhe shoqëria civile dhe kurrsesi nga vendimmarrësit. 200 milion qytetarë europianë tashmë pedalojnë, prej ku 50 milion çdo ditë. Përfitimet ekonomike nga pedalimi në Europë përllogariten më shumë se 200 milion euro/vit dhe sot prandaj quhet ‘ekonomia e pedalimit’, pasi gjeneron punësim, politika fiskale për vajtjen në punë, infrastruktura dhë shërbimet e pedalimit, rekreacioni dhe turizmi me biçikleta si një sektor zhvillimi ekonomik etj. Vizioni i Federatës Europiane të Pedalimit është të dyfishojë lëvizjen me biçikleta në Europë përgjatë 10 viteve të ardhshme, por për këtë çdo nivel politik apo palë e interesit duhet të bëjë punën e vet.

Sikur Kryetari i Bashkisë së Kryeqytetit ta shfrytëzojë këtë pikë të fortë dhe të përmendte vetëm faktin e hartimit të një Plani të Qëndrueshëm mbi Lëvizjen Urbane në Tiranë (angl. Poly-SUMP Methodology–Sustainable Urban Mobility Plan) do ta përmbushte me sukses misionin e Konferencës për një  Tiranë, SMART CITY. Hartimi i këtij Plani si një cikël që përmban katër etapat: strategjia, infrastruktura, shërbimet dhe fushata e ndërgjegjësimit për komunitetin nuk kërkon buxhet marramendës, veçse vullnet dhe impenjim për ta zbatuar hap pas hapi deri në fund. Bazuar në analiza dhe në modele suksesi (më konkretisht rasti i Ljubjanës, mqs është kryeqytet ballkanik) ai do të tregonte ambicien për të zhvilluar kryeqytetin për ‘banorët’ e tij dhe kurrsesi për ‘zhvilluesit’ ose e shprehur ndryshe ‘ndërtuesit e betonit’ dhe ‘pronarët e makinave’. Po të mos ishte kështu, minimalisht në atë sallë do kishim folur për PARKIME për BIÇIKLETA.
GO2_ORGANIZATË për LËVIZJE URBANE TË QËNDRUESHME, anëtare e Federatës Europiane të Pedalimit  http://www.ecf.com/about-us/our-members/
Koordinator për Shqipërinë në projektin EuroVelo8, si projekti më i madh mbi Turizmin me Biçikleta mbështetur nga Komisioni Europian (http://www.eurovelo.org/ )

elt3elt2

Janullatos intervistë në CNN: Dhuna më e madhe është të jesh në varfëri

Primati i Kishës Ortodokse Shqiptare, kryepeshkopi Anastas Janullatos ka dhënë një intervistë për CNN Greek ku ka folur rreth situatës globale të shfaqjes së terrorizmit dhe mënyrën sesi po e lufton perëndimi.

Pyetjes nëse Perëndimi ka përgjegjësi për shpërthimin e terrorizmit dhe nëse fenomeni ka implikime fetare, kryepeshkopi Janullatos u përgjigj: “Unë do t’ju them diçka provokuese. Kam përshtypjen se Perëndimi nuk shqetësohet shumë se çfarë do të thotë padrejtësi dhe varfëri dhe se ku mund t’i çojë popujt varfëria”

Kreu i Kishës Ortodokse Shqiptare thotë se evropianët duke snobuar krishterimin kanë lënë një boshllëk të madh, të cilin përpiqen ta shfrytëzojnë interpretuesit e islamit për të ndërfutur elemente të tjera. Ai flet për një luftë globale asimetrike.

“Ka studiues të Islamit që theksojnë dimensione të tjera. Ne jemi përballë një problemi kompleks global. Terrorizmi nuk luftohet vetë me raketa dhe aeroplanë, është një luftë ideologjike. Ne nuk kemi kuptuar se jemi tashmë në një tjetër luftë tjetër botërorë asimetrike që asnjë shkollë ushtarake nuk e kishte parashikuar. Gjithë ata që gjejnë armë, kush ua jep? Nuk janë fuqitë e mëdha që nxjerrin fitime? Të gjithë ata që blejnë naftën e xhihadistëve nga e kanë origjinën? Ndonjëherë ne duhet të kemi kurajon për vetëkontroll dhe autokritikë. Faj kanë të gjitha shoqëritë … Nëse nuk merremi me varfërinë nuk mund të përballosh këto situata. Dhuna më e madhe është të jesh në varfëri..”- shprehet ai. (Respublica)

Si e arrestoi më 2013 Ervin Dalipaj babain e Saimir Tahirit – dokument

Ish-efektivi i Policisë, Ervin Dalipaj, i cili është shpallur në kërkim për si bashkautor i vrasjes së Gazmend Çollakut është personi që i vuri prangat babait të ministrit Saimir Tahiri në vitin 2013, nën akuzën e kontrabandës së medikamenteve.

Babai i ministrit, Bashkim Tahiri, së bashku me dy persona të tjerë, u arrestua më 25 mars të vitit 2013 për kontrabandë ilaçesh.

Në atë kohë, Ervin Dalipaj ishte shef i Sektorit Kundër Krimit Ekonomik në Drejtorinë e Policisë Tiranë dhe në atë kohë drejtonte hetimet ndaj babait të Saimir Tahirit, duke çuar në arrestimin e tij. Megjithatë, disa javë më vonë, babai i Tahirit u lirua nga të gjitha akuzat.

Sektori-ekonomik

Artur Micko flet rreth drogës që u gjet në autobusin e FRESH-it

Nënkryetari i Forumit Rinor të Partisë Socialiste Artur Micko ka sqaruar pozicionin e tij dhe studentëve të tjerë lidhur me sekuestrimin e drogës në autobusin me të cilin ata udhëtonin drejt Turqisë.

Në një postim në profilin e tij në FB, ai shkruan se ata patën një ndalesë në Selanik, ku kaluan natën dhe ditën e dytë u nisën nga Greqia drejt Turqisë.

Sipas tij, për drogën janë ndaluar guida, ndihësi i tij dhe dy shoferët, ndërkohë që studentët kanë vazhduar rrugën, pasi nuk kishin asnjë lidhje me gjithë sa ndodhi.

Postimi në FB  

Nje grup prej 35 aktivistesh te FRESSH jane nisur ne date 28 Janar per nje udhetim drejt Stambollit, udhetim i kryer me nje autobuz te kompanise fenix travel & tours. Ne autobuz, pervec 35 aktivisteve te FRESSH, ka patur edhe udhetare te tjere me destinacion te njejte.

Pasi eshte kaluar kufiri mes Shqiperise dhe Greqise, ndalesa e pare ka qene ne qytetin e Selanikut, ku pasagjeret kane kaluar naten ne nje hotel.

Diten e dyte ka nisur udhetimi nga Greqia ne Turqi dhe ne kufirin mes dy vendeve autobuzi eshte ndaluar per tu kontrolluar.

Gjate kontrollit te mjetit, pasagjeret kane qendruar ne piken kufitare, jashte mjetit. Informacioni i marre nga autoritetet kufitare ishte se ne autobuz dyshohet te jete gjetur nje sasi lende narkotike e per pasoje shoferi i autobuzit, ndihmes shoferi, guida dhe nje tjeter person jane ndaluar nga policia.

Pjeses tjeter te pasagjereve, pasi u jane dorezuar bagazhet, u eshte vene ne dispozicion nje tjeter mjet qe i ka derguar ne destinacion, Stamboll.

I gjithe grupi i 35 aktivisteve te FRESSH eshte ne Stamboll ku po vazhdon programin e parashikuar. Asnje prej te ndaluarve nga autoritetet turke nuk i perket grupit te aktivisteve te FRESSH.

Ndërkohë për “News 24” ai ka sqaruar edhe mënyren se si e prenptuan autobusin.

“Autobusin e gjetëm në një agjenci turistike. Asnjë nga të rinjtë e FRESSH nuk ka lidhje me drogën. Të rinjtë vijuan drogë me autobus tjetër”, sqaron Artur Micko.

Veprimtaritë më të spikatura në marrëdhëniet Shqipëri -Zvicër për 2015

Viti 2015 u shënua nga një intensifikim dhe impuls i ri në marrëdhëniet ndërmejt Shqipërise dhe Zvicrës.

Ky vit u karakterizua nga intensifikimi i dialogut politik dhe një veprimtari aktive diplomatike. Prioritet i ambasadës ka qënë rritja dhe intensifikimi i vizitave dhe shkëmbimeve shtetërore. Pati rritje të dukshme të vizitave e shkëmbimeve zyrtare dypalëshe si dhe konsultimeve mes dy vendeve.

Diplomacia ekonomike ka qënë në fokus të veprimtarisë së ambasadës gjatë 2015. Shembuj tipikë të saj kanë qënë nënshkrimi i marrëveshjes me Ministrinë e Financave, realizimi i vizitës së ministrisë së turizmit, etj. U hodhën bazat për formalizimin e një sërë nismash të cilat do kenë impakt afatgjatë në marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve, siç janë parashtrimi autoriteteve zvicerane i synimeve tona për krijimin e dhomës së përbashkët të tregtisë, të një komisioni të përbashkët ekonomik etj.

Mbrojtja dhe promovimi i interesave ekonomike përveç rregullimit të kuadrit ligjor, është fokusuar në promovimin e imazhit të vendit dhe të gamës së produkteve dhe mundësive që ofron vendi ynë. Ky vit po ashtu shënoi një rritje të dukshme të punës sa i përket promovimit të imazhit të vendit. Gjatë vitit 2015 krahasur me vitin 2014 ka një rritje prej 50% të artikujve apo reportazheve pozitivë për Shqipërinë në gazetat më të lexuara të vendit dhe mediat e tjera ku përfshihen intervista me kryeministrin, ministra, reportazhe nga vendi etj.

Në mënyrë kronologjike të përmbledhur po rendisim disa nga momentet më të spikatura të ecurisë së marrëdhënieve bilaterale gjatë 2015.

• U realizua vizita zyrtare të Kryetarit të Kuvendit z. Ilir Meta në Zvicër nga dt. 17 deri 19 mars
• U mbajtën konsultimt politiko-diplomatike në Tiranë më datë 7-9 shtator 2015;
• U realizua takimi i Ministrave të Jashtëm Bushati-Burkhalter në Samitin e OSBE-së, Beograd në 3 dhjetor 2015;
• U realizua vizita zyrtare në Zvicër e Ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë (planifikuar për 14-15 dhjetor 2015)
• U mbajtën negociatat me pjesëmarrjen e delegacionit të Ministrisë të Financave të Shqipërisë në Zvicër nga 17-19 shkurt 2015 për amendimin e marrëveshjes “Mbi eleminimin e tatimeve të dyfishta mbi të ardhurat dhe kapitalin”;
• U realizua vizita 4 ditore në Zvicër (24-27 shkurt 2015) në nivel zv. Ministri të Ministrisë së Turizmit të Shqipërisë;
• U realizua një vizitë 7 ditore e 15 drejtuesve të pushtetit lokal dhe qëndror në Zvicër me 31 gusht-5 shtator 2015 në Zvicër. ;
• U realizua vizita në Tiranë e ambasadores Livia Leu, drejtuese e Divizionit për Marrëdhëniet ekonomike dhe e dërguar e Këshilltarit Federal për Marrëveshjet tregtare të SECO-s;
• U realizua vizitë në Shqipëri në muajin qershor e ambasadores Elisabeth von Capeller, drejtore e Departamentit të Bashkëpunimit me EL në SDC si dhe drejtores për BP, Georgette Bruchez nga MPJ zvicerane;

Në kuadër të organizatave ndërkombëtare për 2015:

• Konfirmimi i mbështetjes reciproke në tetor 2015 për zgjedhjen si anëtarë të përkohëshëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së ku përkatësisht Shqipëria kandidon për periudhën 2022-2023 dhe Zvicra për periudhën 2023-2024;
• Shqipëria mbështeti kandidaturën e Zvicrës për përzgjedhjen e Gjenevës si selia e Sekretariatit të Traktatit të Tregtisë së Armëve, gjatë zgjedhjeve të zhvilluara në Kankun të Meksikës në datat 24-26 gusht 2015 ;
• Shqipëria mbështeti kandidaturën e Zvicrës në Këshillin e të Drejtave të Njeriut për periudhën 2016-2018, (në zgjedhjet që u zhvilluan në vjeshtë 2015, në NY, në shkëmbim të mbështetjes që Zvicra i dha kandidaturës së Shqipërisë në KDNJ për periudhën 2014-2016;
• Dhënia e mbështetjes nga Zvicra gjatë Sesionit të 35-të të Komitetit Drejtues të Konventës së Bernës (Strasburg, 3 dhjetor), ku u miratua rekomandimi për pezullimin e punimeve për ndërtimin e hidrocentralit në Parkun e Mavrovës;
• Dhënia e mbështetjes nga Zvicra dhe Liechtenstein për antarësimin e Kosovës në UNESCO(nëntor 2015);

Për rritjen e procesit të njohjes dhe promovimin e Shqipërisë në Zvicër:

• Mbajtja e ekpozitës fotografike “Besa” në qytetet Luzern, S.Gallen, Friburg, Gjenevë, Lozanë dhe në selinë e OKB-së në Gjenevë ;
• Mbyllja e negociatave me Univesitetin e Bernës për fillimin e leksioneve të mësimit të gjuhës shqipe në UNIBern, shtator 2015;
• Pritja e ambasadës me rastin e 103 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë;
• Organizimi i aktivitetit me rastin e 45 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike;
• Pjesmarrja e grupeve folklorike shqiptare nga Zvicra në Festivalin Folklorik Kombëtar 2015 të Gjirokastrës;
• Hapja e ekspozitës “Colors of Albania”

Po ashtu veporimtari të tjera me rëndësi e me ndikim pozitiv në rritjen e efiçencës së punës vlen të përmenden:

• Nënshkrimi i memorandumit të bashkëpunimit mes Ambasadës dhe Rrjetit të Bizneseve shqiptare në Zvicër;
• Negocimi për nënshkrimin e memorandumit të bashkëpunimit me Shoqatën e krijuesve shqiptarë në Zvicër;
• Dhënia e Çertifikatave të mirënjohjes për shqiptarë me kontribut në promovimin e gjuhës shqipe në Zvicër.

• Në kuadër të Projektit “Ti Shqipëri me jep nder”, ambasada ka hapur në ambjentet e saj një mini-ekspozitë më vizatime të fëmijëve shqiptar që jetojnë në Zvicër. ProjektI ka si qëllim nxitjen e ndjenjës kombëtare si dhe ruajtjen e gjuhës shqipe.

(burimi: Albanian Embassy in Bern)

Ndalohet me drogë në Turqi autobusi me të rinj të FRESH-it

Një sasi droge është gjetur mbrëmë nga Policia Kufitare e Turqisë në një autobus shqiptar, që transportonte 40 anëtarë të Forumit Rinor Socialist Shqiptar.
Autobusi ishte nisur nga Tirana në drejtim të Stambollit, duke kaluar më parë mes për mes Greqisë. Droga është zbuluar në pikën doganore të Ipsala-s, që ndodhet në kufirin mes Greqisë dhe Turqisë.
Studentët që ishin pjesë e FRESSH shoqëroheshin në këtë udhëtim, të cilësuar si turistik, nga nënkryetari i Forumit, Artur Micko, i cili është njëkohësisht edhe drejtor i Shërbimit Kombëtar të Punësimit, raporton Panorama.
Policia Kufitare turke ka arrestuar menjëherë shoferin e autobusit, ndërsa janë shoqëruar për t’u marrë në pyetje 40 studentët dhe Micko. Të gjithë personat që ishin si pasagjerë janë shoqëruar në Drejtorinë Doganore të Antikontrabandës dhe Narkotikëve. Ndërsa shoferi është arrestuar në kushtet e flagrancës, duke u transportuar menjëherë në qelitë e paraburgimit.
Autoritetet turke kanë vënë në dijeni edhe Konsullatën Shqiptare atje, zyrtarë të së cilës u treguan të rezervuar në lidhje me atë që kishte ndodhur në kufi.
Nga ana tjetër, policia turke ende nuk ka vendosur nëse do të arrestohet ndonjë person tjetër, përveç shoferit të autobusit.

Endira Bushati merret e pandehur – Lejoi vjedhjet pirateske

Voal – Një hetim i nisur prej vitit 2014 për ish-kryetaren e AMA-s Endira Bushati, ka përfunduar në janar të këtij viti, ku prokuroria e Tiranës ka marrë të pandehur Endira Bushatin. Akuza që është ngritur ndaj saj, është ajo e “Shpërdorimit të detyrës”, pasi Bushati në periudha të ndryshme gjatë ushtrimit të detyrës së saj ka lejuar në mënyrë të qëllimshme “lulëzimin” e televizioneve pirate. Çështja tashmë kundër Bushatit është dërguar në gjykatën e Tiranës dhe se pritet që në ditët në vijim ajo të gjykohet nga gjyqtari Martin Deda. Dy vite më parë prokuroria kërkoi në gjykatë pezullimin e Bushatit nga detyra e kryetares së AMA-s pasi kishte mundësi që ajo të prishte provat hetimore, duke zhdukur dokumentet.

Bushati nuk veproi

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se disa subjekte i kanë kërkuar me shkresa zyrtare AMA-s, më konkretisht Endira Bushatit, për verifikimin e pretendimeve dhe provave për këto transmetime të paligjshme të këtyre operatorëve dhe për fillimin e procedurave për vendosjen e sanksioneve përkatëse dhe mbylljen e veprimtarisë së këtyre operatorëve sipas parashikimeve ligjore. Prokuroria ka evidentuara dhe subjektet që transmetojnë kanale në mënyrë të paligjshme, ndërsa ankesat në këtë institucion kanë filluar në vitin 2009 e duke vazhduar gjatë viteve, ku detajoheshin lloji i shkeljes dhe data konkrete e kryerjes së saj. “Ndaj këtyre kërkesave, Kryetarja e KKRT dhe më pas AMA, shtetasja Endira Bushati, nuk ka ndërmarrë të gjitha veprimet që është e detyruar nga dispozitat ligjore. Duke mos vepruar sipas kërkesave të legjislacionit në fuqi, kryetarja e KKRT, sot AMA, ka lejuar që këto subjekte të përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme materialisht, në formën e shitjes së programeve të tyre dhe transmetimeve të paligjshme tek publiku i gjerë”-vijon akuza.

I hapi rrugën abuzimeve

Sipas prokurorisë nga viti 2009 e deri në largimin nga detyra, nuk konstatohet të jetë zbatuar procedura e heqjes së licencës për ndonjë nga subjektet kundërvajtëse për transmetimet e paligjshme. Në mënyrë të veçantë për disa operatorë është kërkuar në mënyrë të përsëritur, marrja e masave përkatëse,por përsëri asnjë masë nuk është marrë ndaj tyre. Në këto kushte, në veprimtarinë e saj si kryetare e KKRT-së dhe AMA-s, shtetasja Endira Bushati nuk ka përmbushur detyrimin ligjor për penalizimin e subjekteve që transmetojnë në mënyrë të paligjshme”, thotë prokuroria. Ajo shton se shkelje është edhe shkresa e datës 29 maj 2013, kur Endira Bushati i është drejtuar të gjithë operatorëve kabllorë, duke i kërkuar transmetime të hapura të programeve të operatorëve televizivë kombëtarë. Në këto kushte, ka dyshime të arsyeshme të bazuara në prova ndaj shtetases Endira Bushati për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”./shqiptarja.com

Ben Blushi: I gatshëm të sfidoj Ramën

Deputeti socialist shprehet se do të hyjë në garë për kryetarin e partisë, nëse do të ketë një të tillë gjatë kongresit të marsit. Kritika të ashpra ndaj kryeministrit: Në parti kanë hyrë banditë. PS sot është konfuze. Koalicioni me LSI-në duhet ndryshuar

Deputeti socialist Ben Blushi deklaroi mbrëmë se ai është i gatshëm të hyjë në garën për kryetar të partisë së tij, përballë kryeministrit Edi Rama, nëse në kongresin që pritet të mbahet marsin e ardhshëm do të ketë një të tillë. Në emisionin Top Story të gazetarit Sokol Balla në Top Channel, zoti Blushi, një kritik i hershëm i zotit Rama, u shpreh se besonte se mund ta drejtonte më mirë partinë.

Zoti Rama është në krye të partisë socialiste që prej vitit 2005, pas tërheqjes së kryetarit të saj jetëgjatë Fatos Nano, si pasojë e humbjes së zgjedhjeve të atij viti. Ai u rikonfirmua në vitin 2009, pas një procesi votimi në të gjithë anëtarësinë socialiste. Sipas statutit të kësaj partie, gara e ardhshme për drejtimin e saj duhej zhvilluar pas katër vitesh, në vjeshtën e 2013. Por kjo garë nuk u zhvillua kurrë, dhe vetë zoti Rama e mbështetësit e tij, e konsideruan të mirëqenë rikonfirmimin e radhës si kryetar, duke qenë se PS-ja sapo kishte fituar zgjedhet politike, ndonëse statuti, libri i rregullave të një partie, në asnjë rresht të tij nuk e parashikon një gjë të tillë.

Deputeti Blushi e ka ngritur mëse një herë shqetësimin për mosrespektimin e rregullave të brendshme të partisë nga ana e zotit Rama. Mbrëmë ai foli me tone shumë të ashpra për situatën në të cilën sipas tij gjendet PS-ja. “Kjo parti e drejtuar nga Edi Rama në këto 3 vjet nuk ka demokraci, ka kryetarë banditë nëpër degë, ka njerëz nga shekulli i kaluar që kanë zaptuar jugun”, u shpreh zoti Blushi, duke shtuar se në partinë socialiste “po zëvendësohen ata që lexojnë me ata që kanë armë sepse kjo po ndodh. Rama nuk bën zgjedhje sepse Edi Rama nuk do metër, nuk do votimet se ato tregojnë sa veta të mbështesin dhe sa jo”.

Deputeti Blushi, i cili një pjesë të kritikave i ka ngritur dhe më parë gjatë ndërhyrjeve në parlament apo përmes shkrimeve në shtyp, shprehet kundër dhe mënyrës se si po drejtohet vendi. “Të gjitha vendimet që janë marrë kohët e fundit në Parlament, janë tërësisht personale. Të gjitha koncesionet. Sot PS nuk është as e majtë dhe as e djathtë, është konfuze. Në 3 vjet varfëria është shtuar dhe ne nuk bëjmë aq sa duhet për të varfërit. Po si mund të bëjmë për të varfërit kur partia ka ose banditë ose të pasur. Si ka mundësi që në grupin tonë parlamentar janë 10 njerëzit më të pasur në Shqipëri? Pse vijnë ata në një parti të majtë, e cila është shprehur se do ulë taksat për të varfërit dhe do i rrisë për të pasurit? Atëherë vijnë për të përfituar”, theksoi ai.

Deputeti socialist nuk është i kënaqur as për mënyrën e funksionimit të koalicionit me LSI-në. “Edi Rama është përgjegjës se nuk po gjen dot ekuilibrin e duhur. Koalicioni po prodhon pushtet, por jo reforma. Unë do ta ndryshoj këtë koalicion, do ta bëj më funksional”, u shpreh ai, pa dhënë më shumë detaje.

Tutori më i zi i Milanos është sot politikan në Shqipëri – Nga TAULANT KOPLIKU*

 

Na pret në një lokal në bregdetin e Shengjinit. Në fillim prezantohet ftohtë dhe shfaqet dyshues. Sokoli (një emer ky i sajuar), është një 40 –vjecar që ka bërë për shumë vite të paligjshmin në Itali, ndërsa prej disa vitesh ka vendosur të tërhiqet për të bërë një jetë të qetë e pa probleme. Në realitet ai që na shfaqet përpara, jep idenë e një personi disa vite më të ri, jo shumë i gjatë, i veshur firmato por pa shije ndërkohë që na shikon nga lart poshte disa here duke shfaqur haptazi një lloj mosbesimi të momentit.

Për më shumë se një dekadë Sokoli ka shfrytëzuar një numër të madh vajzash në trotuaret e Italisë por këtë ai e quan thjeshtë një punë, bashkëpunim me interes dypalësh. Pranon të intervistohet në një tjetër ambient aty pranë duke vënë si kusht bazë fshehjen e identitetit, e kuptueshme për një person që ka krijuar një familje dhe për më tepër ende mund të ketë problem me ligjin. Në interviste flet gjithë kohën për djem dhe për vajza që në fjalorin e tij përkthehen në tutor dhe prostituta. Në një moment madje ndërpret intervisten duke na kërcënuar të mos vazhdojmë më tej nëse do vazhdojnë të përdoren këto dy fjalë.

Pyetje: Sokol, ti, je një tutor i penduar?
Pergjigje: Nuk jam as tutor e as i penduar. Jam një person që asokohe kisha 25 vite moshë dhe si shumë të rinj doja një jetë më të mirë. Shfrytëzova momentin dhe nisa të bëj një punë jo aq të bukur por gjithmonë me dëshirën e vajzave dhe me bashkëpunimin e tyre për të dalë në rrugë. Asnjëherë me dhunë apo me mashtrime.

Si nisi kjo histori?
Kisha një të dashur këtu në Shqipëri e duke parë problemet ekonomike si të miat edhe të saj, vendosëm të iknim në Itali. Flitet për 15 vite më parë dhe normalisht u nisëm si klandestinë me gomone nga Vlora. Mbërritëm në Bari ku më kanë pritur dy miq të mi të cilët prej disa vitesh merreshin me këtë punë.

Prostitucion?
Le të themi se kishin vajza në punë në zonën e Padovas. Pikërisht në këtë qytet mbërritëm një ditë më pas. Qendruam tek ata vetëm tre ditë dhe më pas u stabilizuam në një shtëpi krejt për ne të dy. Ishte një shtëpi e vogël por komode në “Via Annelli” të Padovas. Një zonë problematike në të cilën ndodhte cdo gjë, drogë, grabitje, përdhunime, përplasje mes grupesh. Përvec shqiptarëve aty kishte marokenë, tunizianë, egjiptianë të cilët merreshin me “pisllëqe” nga më të ndryshmet. Gjatë atyre tre ditëve të para, vajzat e tjera e mësuan të dashurën time sesi duhej të punonte dhe të sillej me klientët në rrugë. Kjo pjesë ishte shumë e rëndësishme pasi klienti duhet të “dashurohet” pas vajzës për tu kthyer serish tek ajo ditën tjetër e prapë ditën tjetër.

E dashura jote e dinte që në nisje që po shkonte në Itali për të bërë prostitutën?
Po. Patjetër. Madje ka qenë ajo që më shprehej se nuk kishte të keqe që për disa vite të bënte atë punë derisa të kishte një shtëpi të bukur, makinë, veshje të shtrenjta. Kështu pas rreth një jave ajo nisi të punonte bashkë me vajzat e tjera. Ato dilnin në rrugë pak përpara se të erresohej dhe ktheheshin në shtëpi në të gdhirë të ditës tjetër. Për të zënë një vend të mirë në rrugë menduan miqtë e mi dhe nuk pata nevojë të konfliktohem me asnjë person tjetër, pasi gjithmonë ndodhnin përplasje kur vinte një person i panjohur për të sistemuar vajzën e tij aty.

Ku ishte ky vend kaq i lakmuar? Në cilën zonë?
Ishte një rrugë e gjatë në zonën e quajtur “Limenella”, një rrugë afër daljes së autostradës. Në gjithë gjatësinë e saj, kjo rrugë ishte plot me vajza.

Si ishte dita e pare? Të kujtohet?
Ishte fundjavë dhe në këto ditë (e premte dhe e shtunë) punohej disi më vonë, deri në 6.00 të mëngjesit. Kur kjo (e dashura) mbaroi punen, më hodhi në prehër 750 mijë lireta (dicka më shumë se 300 euro). Si herë e parë ishin vërtetë shumë.

Sa klientë per atë shumë?
Më shumë se 10 klientë. Duhet të sqarojmë se mënyrat dhe cmimet ishin të ndryshme. Po ashtu edhe lodhja e vajzës shumë herë jo aq e madhe. P.sh. Për njëherë në shtëpi cmimi shkonte 100 mijë lireta. Për njëherë në makinë 50 mijë lireta. Për orale 30-40 mijë. Megjithatë nuk është se u befasova aq shumë pasi djemtë aty më kishin treguar më parë sesa mund të bëhet në ditë.

Më pas si shkoi?
Për rreth gjashte muaj puna na shkoi shumë mirë. Pa probleme me vendin apo me klientët. I vetmi problem ishin “vizitat” e shpeshta të policisë. Pothuajse cdo të enjte në “Limenella”, policia merrte vajzat nga rruga dhe i dergonte ne kazermë. I mbanin atje gjithë ditën por për ne ishte një ditë pa punë. Mbaj mend një police që për ne ishte kthyer në problem të madh. Quhej Antonella dhe ishte e tmerrshme. Shkonte aty dhe i merrte vajzat me forcë. Kur ajo ishte në xhiro përgjatë rrugës, asnjë vajzë nuk dilte. Te gjitha rrinin në shtëpi atë ditë.

Cfare ndodhte me vajzat ne polici? Kishin probleme?
Asnjë gjë serioze. I mbanin një ditë, shenja gishtash, disa pyetje dhe i linin të lira. Ndonjëherë rradhë ndodhte që i kthenin në vendet nga kishin ardhur; Shqipëri, Moldavi, Rumani etj. Por pas disa ditësh, vajzat futeshin sërish në Itali dhe gjendeshin si përherë në vendin e punës. Ne kishim lidhjet e duhura në Vlorë dhe gjithcka ishte e lehtë. Vajza shkonte në Vlorë tek personi i kontaktit tonë, skafisti na e sillte në Bari, lekët skafistit dhe gjithcka OK. Një zinxhir shumë mirë i organizuar.

Pak më parë the se nuk kishit probleme për territoret por në realitet të gjithë e dinë “luftën” që bëhet për territoret në zonat e prostitucionit…

Në fillim nuk është se kishte të tilla probleme. Problemet e shumta nisën me hyrjen në masë të rumunëve në Itali. Ata sillnin shumë vajza. Me qindra. Dhe normalisht donin ti sistemonin sa më mirë e në vendet më të frekuentuara.

Si gjithmonë të këqinjtë janë të tjerët e jo shqiptarët…kete rradhë rumunët.
Nuk e thashë këtë. Shumë nga ata janë djem të mirë e të besës. Madje janë shumë guximtarë. Unë kam bashkëpunuar me ta dhe i vlerësoj shumë më tepër se disa shqiptarë. Nuk janë të gjithë hajdutë e keqbërës si i nxjerrin gazetat. Une thashë se kjo dyndje femrash që sollën rumunët, shkaktoi përplasje të pashmangshme për territore. Gjithsesi për tu kthyer tek pyetja. Zona që kontrollonim së bashku me dy shokë, ishte reth 1,5 km. Asnjë vajzë tjetër nuk do të mund të punonte aty përvec vajzave tona. Kush guxonte, ishin vajzat që ia tregonin vendin dhe nëse do ndërhynte ndonjë mashkull atëherë do e zgjidhnim ne. Kjo ka funksionuar për 13 vite që unë isha aty dhe sic i themi në anët tona: ka dasht zoti që nuk na kanë provoku se do ndodhte me e keqja. Gjithsesi nuk të gënjej kur them që ndonjë armë në kokë, disa grushte e shkelma, ndonjëri edhe i ka marrë prej nesh.

Kur thua se mund të ndodhte më e keqja, nënkupton se dikush mund të vritej? Gjëra që në fakt kanë ndodhur.

Nuk do kishte asnjë garanci si për ta si për ne. Gjithsesi ju siguroj se tek ne nuk ka ndodhur asnjë gjë e tillë. Mund të verifikoni cfarë ka ndodhur në zonë gjatë atyre viteve për të vërtetuar fjalë e mia. Edhe kane ndodhur, e vërtetë por duhet të pranojmë se ka dhe shumë histori të sajuara bukur nga policia apo edhe nga ato shoqatat e Caritasit qe angazhoheshin gjoja ne shpetimin e vajzave te rruges. Ky që bënim ne ishte një biznes fitimprurës dhe normalisht që do kishte edhe ngjarje nga pas. Por sic ta thashë shumë gjëra janë të shpikura. Maniakë dhe budallenj që mbysin femra ka kudo por kjo nuk do të thotë se të gjithë ne që bënim këtë punë ishim të dhunshëm. Duhet të dini dicka. Ishte kohë që një permesso di soggiorno vlente shumë atëherë dhe vajzat cfarë nuk bënin për të pasur një të tillë. Gjatë marrjes në pyetje policët dhe këta shoqatat i premtonin dokumentet vetëm që vajzat të dëshmonin kundër të dashurit të tyre. Kur vajzat nisnin te shpreheshin, dilte gjithcka në shesh. Kishin ndodhur ne realitet apo jo. Flitej për dhunë, për barbari nga më të ndryshmet, per perdhunime në grup. Me kujtohet një rast konkret me një murator nga nje fshat afer Durrësit. Ai kishte shoqeri me njerin nga djemte dhe here pas here shkonte në shtëpinë e këtij djalit e flinte atje. Në një rast i arrestuan në shtëpi të gjithë sa ishin dhe vajza që kishte bërë denoncimin, dëshmoi edhe kundër tij. Policia deklaroi se kishte asgjësuar një grup shumë të rrezikshëm ndërsa ky i shkreti bëri gjashtë muaj burg derisa doli i pafajshëm.

Gjithsesi faktin që vajza të gënjyera që shfrytëzohen nga tutorët si prostituta nuk mund ta mohojë askush.

E thashë më sipër. Njerëz të dhunshëm, maniakë dhe vrasës ka kudo, edhe aty ku se mendon. Kjo nuk mund të fusë në një kallëp të gjithë ata që kanë bërë këtë punë. Do duhej ta kishit bërë këtë punë për të kuptuar sesi është realiteti. Unë kam njohur persona që kanë rrahur barbarisht vajzat, që kanë marrë gjoja për fejesë edhe komshijet, kanë nxjerrë në rrugë nënën e fëmijës së tyre apo edhe më keq kushërirën e parë. Këta nuk mundem ti fus në kategorinë e njerëzve. Dhe dicka tjetër. Nëse do që të vazhdojmë normalisht këtë interviste, nuk dua të dëgjoj as tutor e as prostitutë sepse më ofendon shumë. Ky është kusht nga ana ime.

Po thua se ke njohur të tillë persona. Sot pas shumë vitesh a ruan kontakte me ndonjërin prej tyre?
Nuk dua të bëj moralistin por këta tipa i kemi mbajtur larg dhe i kemi përcmuar. Këta edhe hajdutët ordinerë që bënin njëherësh edhe punën tonë me vajzat por edhe vidhnin apo grabisnin nëpër apartamente e vila.

Unë shkoja shpesh në Milano. Kisha miq të mi atje dhe i frekuentoja. Në një tavolinë kam njohur një tip të tillë që bashkë me vëllezër e kushërinj kishin disa vajza në punë. Aty më treguan se ky grup ishin të specializuar për vjedhje vilash në periferitë e Milanos. Mbaj mend që kemi drekuar me ta në zonën e Pioltellos afer Milanos. Nuk jam i sigurt nëse jetonin aty apo kishin shkuar atë ditë. Para pak vitesh kam fërkuar sytë disa herë kur këtë tipin e pashë në zgjedhje përkrah Edi Ramës.

Dhe ky sot është në parlament?
Politikan. Kaq mjafton. Është apo jo në parlament nuk ka rëndësi se pastaj më mirë ju them emrin. Di të them të saktë se kam qenë në tavolinë me të kështu sic jemi sot bashkë. Hajdut ordiner banesash që kacavirrej nëpër tuba e nëpër ballkone.

E takon sot?
E kam parë por se kam takuar. Une se kisha shok dhe është humbje kohe të merremi me të tillë persona. (Pamfleti.com)

Rrethi vicioz i partitizmit ku përpëlitet meritokracia – Av. Dr. Serxho Mazreku

 

Pse ndodhet ende në udhëkryq Shqipëria në lidhje me zbatimin e konventave ndërkombëtare për liritë dhe të drejtat e njeriut? Pse meritokracia në këtë vend është një ironi e oborreve politike që meritë quajnë militantizmin e sëmurë? Pse nuk ka modele përkushtimi që duhen ndjekur ose më saktë pse këto modele i përjashton, në vend që t’i ndjekë?

Këto janë pyetje që i bëjnë jo vetëm shqiptarët por dhe të huajt dhe nuk marrin një përgjigje të qartë, pasi këtu, në këtë histori të trishtë mpleksen shumë faktorë, sociale, ekonomikë, psiko-socialë etj. Ajo që e mbart dhe e përcjell këtë dimension të trishtë në mënyrë të përçdoçastshme është punonjësi shqiptar, që ndodhet i zbuluar përballë trilleve dhe egove partiako-administrative. Ky punonjës, i çdo shkalle e rrangu, ndodhet nën presionin e vazhdueshëm të partitizmit dhe shefave që prodhon ky partitizëm.

Shoqëria shqiptare, hap pas hapi, përgjatë një tranzicioni njëzetepesëvjeçar, në vend që të krijojë modalitete mbi të cilat të ndërtohen ëndrrat dhe vizionet e njerëzve për një plotëri të jetës së tyre të jetuar me nder e dinjitet, po i braktis modelet të cilët jo vetëm i sheh si të vjetëruar e jashtë mode, por dhe i paragjykon e përjashton ato nga politika, zyrat e shtetit etj.

Sot, për fat të keq, të jeshë i ndershëm, i drejtë, idealist, i pakorruptuar, të luftosh kundër atyre që shkelin ligjet në kurriz të të drejtave qytetare të të tjerëve, quhesh jashtë mode dhe primitiv!

Para disa vitesh, pas viteve problematike 2000, që pasonin vitin e trishtë ’97, në shtypin shqiptar shkruhej çdo ditë për të ashtuquajturin “Falkone i Korçës”, një komisar policie që jo vetëm kishte suksese në punën e tij por brenda një kohe të shkurtër ia doli të eleminonte bandat dhe të vendoste rregull në qytetin juglindor.

Po kështu, po në këto vite, shtypi i shkruar dhe mediat televizive kanë lançuar një tip të fortë dhe kurajoz, komisarin e policisë së Elbasanit, i quajtur Edmond Koseni që gjithashtu pati kurajo ta godiste me rrënjë e degë krimin në këtë zonë, duke ngjallur shpresën tek ligji për qytetarët e Elbasanit.

Të dy këta personazhe të aksionit të sukseshëm policor tashmë “kanë dalë nga qarkullimi”, për ta nuk kujtohet më askush dhe për më tepër i kanë larguar nga organet e policisë së shtetit.

Para disa viteve, një inspektor policie në Rrëshen, z. Fran Lleshaj do të përballej me deputetë, kryetarë njësishë administrative lokale, njerëz me pushtet që shkelnin rregullat e qarkullimit rrugor, duke iu vënë gjova dhe sanksione ligjore, që nuk ishin parë e dëgjuar gjer atëherë për këtë kategori njerëzish të privilegjuar dhe me pushtet. Shtypi do të quante atë “Katani i Mirditës”, njerëzit e thjeshtë dhe qytetarët do ta përgëzonin, por strukturat drejtuese policore në Rrëshen, në vend që ta gradonin, pas zgjedhjeve lokale të 23 qershorit 2014, do ta pushonin nga puna pa asnjë motivacion. Kjo nuk është hera e parë që Frani pushohet nga puna dhe ushtrohet ndaj tij presion, edhe herë të tjera, për shkak të kësaj “kokëfortësie” për të zbatuar deri më një ligjin njëlloj për të gjithë, e kanë flakur nga puna dhe është rikthyer me vendim gjykate. Por ky largim flagrant, përveç mërive të shefave që Frani, me sa duket, iu ka prishur rehatinë, mbart dhe hakmarrjen politike, megjithëse ai nuk është marrë kurrë me parti dhe oborre politike. E sikur të mos mjaftonte kjo, tashmë grupet kriminale dhe bandat që Fran Lleshaj kishte goditur, do të vepronin, duke i vjedhur lopët në ahur dhe duke e kërcënuar dretpërsëdrejti, me telefon dhe në mënyrë verbale. Por nuk mjaftuan këto dhe policia jo vetëm që nuk e mbron dhe përkrah ish oficerin e saj të devotshëm dhe idealist (pasi eprorët e kanë flakur nga puna në mënyrën më të padrejtë dhe spekulante të mundshme), por ia marrin djalin 15 vjeçar dhe ia mbajnë  në dhomat e paraburgimit në komisariatin e Rrëshenit për dyzet e tetë orë, duke qenë ende i mitur dhe pa adresuar ndaj tij asnjë lloj akuze!

Nuk mohohen arritjet e policisë dhe të strukturave të tjera të antikrimit në Shqipëri, por pengesa vjen nga jashtë policisë, nga oborret partiake që nuk kanë nevojë për idealistë dhe njerëz të përkushtuar për rendin dhe qetësinë qytetare, por për militantë fanatikë, edhe pse strukturat e policisë, të rendit publik dhe të ushtrisë janë me ligj të depolitizuara.

Në punën time si avokat, unë dhe kolegët e mi hasim çdo ditë dhjetëra raste të heqjes nga puna, jo vetëm në radhët e policisë, por në të gjitha sektorët e administratës publike, të personave të përkushtuar, të cilët ngaqë kanë të drejtë i fitojnë të gjitha shkallët e gjyqeve, duke i detyruar organet që kanë ekzekutuar heqjen e tyre nga puna t’i rikthjeë në punë dhe të paguajë dëmshpërblimin përkatës.

Por në mjaft raste këto vendime gjykate nuk zbatohen a thua se zbatimi i këtyre vendimeve është çështje dëshire e vullneti për këtë administratë dhe jo një detyrim për t’u zbatuar.

Sot meritokracia dhe idealizmi i njerëzve të përkushtuar merret nëpër këmbë nga oborret partiake, të cilët duan servilë dhe të pa aftë dhe jo njerëz vizionarë dhe elitarë, çfarë bën që të vazhdojmë të endemic me paterica në vorbullat e këtij tranzicioni të vështirë.

Filloi procesi kundër imamit Almir Daci, me akuza për terror

Në një gjykatë në Tiranë dje ka filluar procesi kundër imamit, Almir Daci, që kishte shërbyer në një fshat lindor të Shqipërisë, lidhur me akuza për terrorizëm. Ai është i dyshuar se i është bashkuar grupit ekstremist, Shteti Islamik, në Siri, së bashku me gruan e tij dhe dy fëmijë.

Prokurorët thanë dje në fillim të procesit në mungesë të të akuzuarit 31 vjeçar, Almir Daci, se ai ishte larguar nga Shqipëria në vitin 2013 me familjen e tij dhe kishte luftuar për militantët e Shtetit Islamik.

Babai i tij, Xhevahir Daci, i ka hedhur poshtë akuzat se ai i ishte bashkuar grupit militant, duke thënë se ai ishte larguar nga Shqipëria për të kërkuar punë, raporton AP nga Tirana.

Meta paralajmëron Ramën e Bashën: Sa herë që humbni zgjedhjet ankoheni se u ble vota

Kreu i Kuvendit dhe i LSI-së ishte i pranishëm ditën e sotme në tryezën për reformën zgjedhore të organizuar gjatë paradites. Të pranishëm në këtë takim ishin edhe kryeministrit Edi Rama dhe kreu i PD-së, Lulzim Basha.

Gjatë fjalës së tij, Meta ka thumbuar krerët e dy partive kryesore.

“Për vetë natyrën ballkanase, shqiptarët kontestojnë zgjedhjet sa herë humbin”, tha Meta. Më tej, ai foli tha edhe për përfshirjen e biznesmenëve nëpër fushata, duke kërkuar të merren masa. Sakaq ai kërkoi falje edhe për zgjedhjet e 2001 kur ishte Kryeministër. Meta nuk e shmangu takimin me Bashën.

Donald Lu: Blerja e votës, tradhti ndaj shqiptarëve

Gjatë takimit në tryezën për Reformën në Drejtësi, ku për herë të parë ishin në një tryezë kryeministri Rama, kreu i Kuvendit Meta dhe kreu i opozitës Basha, ambasadori i SHBA-ve Donald Lu e cilësoi tradhti ndaj shqiptarëve abuzimin me votat që u bë nga forcat politike në zgjedhjet lokale të vitit të shkuar.

“Shumë njerëz na dhanë prova të blerjes së votës dhe të votimit në grup. Sikurse e dimë, disa prej kandidatëve kishin të shkuar të turpshme kriminale. Abuzimet zgjedhore janë një tradhti ndaj demokracisë shqiptare”, tha Lu.

Itali-Shqipëri: Banda e prostitucionit, zbardhen emrat e shqiptarëve të arrestuar (fotot)

Policia e Shtetit ka zbardhur emrat e shqiptarëve të arrestuar në kuadër të operacionit në bashkëpunim me policinë italiane, që shkatërroi bandën e shfrytëzimit të prostitucionit.

Drejtori i sektorit të Krimit të Organizuar, Çipa, gjatë një konferencë për media theksoi se në “Policia e Shtetit në bashkëpunim me policinë italiane, sllokave dhe atë belge, kanë finalizuar operacionin ndërkombëtar “TEMPESTA 2015”.Në pranga janë vënë 17 shqiptarë, 5 në Shqipëri, 11 në Itali dhe 1 në Sllovaki. Ndërkohë që baza e bandës funksiononte në Milano dhe shfrytëzoheshin vajza nga Europa Lindore e kryesisht nga Shqipëri.

NDREJAJ

Silvo Ndrejaj

JULIAN

 

Julian Lila

Dorzi

Edër Dorzi

SINANI1

Dorian Sinani

ENED-BARe

Ened Bare


Arrestimet në Shqipëri

Edër DORZI, 34 vjeç, arrestuar në Tiranë.

Dorian SINANI, 28 vjeç,, arrestuar në Tiranë.

Julian LILA, 25 vjeç, arrestuar në Fier.

Ened BARE, 34 vjeç, arrestuar në Fier.

Silvjo (Eduart) NDREJAJ, 29 vjeç, arrestuar në Durrës.

Arrestuar në Itali 

Haxhi LAMÇAJ, 39 vjeç,

Griseld (Emiljano) MALAJ, 34 vjeç,

Armando (Denis) MEÇAJ, 29 vjeç,

Orgert OSMANI, 25 vjeç,

Izmir RIZAJ, 26 vjeç,

Artan NDREJAJ, 34 vjeç,

Indrit NREJAJ, 28 vjeç,

Mark NDREJAJ, 33 vjeç,

Amarildo SALIHASI, 26 vjeç,

Lorenc SALIHASI, 23 vjeç.

Elvis ZIU, 34 vjeç dhe

Bledar MALAJ, 37 vjeç.


Send this to a friend