I nderuar z.Bernd Borchardt, po Ju drejtohem publikisht, si kreu i OSBE-së dhe si diplomat gjerman – dhe më tepër si ky i fundit.
Dje Ju morët pjesë në Kuvendin e Shqipërisë në aktivitetin përkujtues me rastin e 70 vjetorit të ekzekutimit të 16 deputetëve të opozitës nga regjimi kriminal komunist.
Po e ndiqja aktivitetin për të konstatuar kulmin e hipokrizisë nga kryepolitikanët e shtetit shqiptar.
Them këtë pasi kryeministri Edi Rama duhej ta kish nisur fjalimin e tij me një ndjesë për faktin se partia që ai drejton është trashëgimtarja e partisë shtet që i ka kryer ato krime makabre.
Them këtë pasi të dyja partitë shtet, si PS ashtu edhe PD, së bashku me bishtin e tyre LSI, këta 26 vjet nuk kanë ndërrmarë asnjë hap legjislativ as për dënimin e krimeve të komunizmit, as për hedhjen dritë të tyre dhe nuk kanë bërë asgjë për zbulimin e eshtrave të 6000 të zhdukurve.
Po ashtu deri tani ky Kuvend nuk ka ndërmarrë asnjë hap as për pastrimin e administratës të lartë nga ish-Sigurimsat dhe njerëzit me dosje.
A e imagjinoni Ju z.Borchardt sikur administrata apo partitë tuaja në Gjermani të jenë të mbushura me ish-spiunë të Stass-it apo njerëz nga enturazhi a trashëgimtarë të Erich Honeckerit e Egon Krenzit?!
Gjermania juaj nuk ia lejoni vetes as shkeljen e parimeve e as të standarteve! Dhe bën shumë mirë! Po përse bëheni kaq dorëlëshuar dhe ua toleroni klikës së korruptuar të politikanëve shqiptarë?!
Ju drejtohem Ju z.Ambasador nga një fakt i thjeshtë por që flet shumë. Sepse, ndërsa gjithë mediat e Tiranës jepnin live aktivitetin në Kuvend dhe shqiptarët ishin të detyruar të dëgjonin demagogjinë e Edi Ramës apo Lulzim Bashës, në momentin që Ju e morët fjalën, transmetimi live u ndërpre në unison nga të gjitha televizionet. Po ashtu asnjë portal i Tiranës nuk e përcolli dhe, për rrjedhojë, e censuroi fjalën Tuaj.
Fjala Juaj duhej të dëgjohej nga opinioni publik pasi, po për demagogji, opinionit publik shqiptar i thuhet shpesh se Shqipëria po ndjek modelin gjerman!
Cilin model gjerman po ndjek Shqipëria?
Shqiptarët përjetojnë diktaturën e shtetit të kapur!
Shqiptarët përjetojnë diktaturën e oligarkisë së mediave, ku një grup oligarkësh opinionistë merren vetëm me trushplarje.
Shqiptarët përjetojnë diktaturën e një sistemi të korruptuar deri në palcë.
Shqiptarët përjetojnë diktaturën e mungesës të shtetit të drejtës, diktaturën e mungesës të shtetit social!
Shqiptarët përjetojnë diktaturën e varfërisë.
A jetojnë dot pensionistët gjermanë me nga 100 Euro në muaj si pensionistët shqiptarë kur çmimet në Shqipëri janë njëlloj me ato në Gjermani?
Por drama më e madhe është se shqiptarët përjetojnë zhgënimin më të madh nga Perëndimi, sepse Perëndimi, në vend që të ndëshkojë shkelësit e ligjit që janë politikanët e kësaj kaste politike, e mbështesin këtë klasë politike që është dënimi kapital për gjithë popullin shqiptar.
Pra z.Ambasador, nga 70 vjet më parë pak gjë ka ndryshuar.
Vërtetë Shqipëria është vend anëtar i NATO-s, por shqiptarët sot vriten pa gjyqe si 70 vjet më parë, përmes diktaturës të një klike shtetarësh e deputetësh që mbushin xhepat e tyre dhe popullin e lënë në mëshirën e antishtetit, shtetarëve të korruptuar, krimit të organizuar, pasigurisë dhe varfërisë ekstreme.
4 vjet më parë Kacelarja Merkel priti kryeministrin Edi Rama.
Edi Rama në 4 vjet nuk mbajti asnjë premtim.
Mutter Merkel do ta mikpresë prapë Edi Ramën e rizgjedhur dhe farsa do të vazhdojë pasi Perëndimi nuk mban përgjegjësinë që i takon sikur mbajti Gjermania pas bashkimit me DDR, sepse, në fund të fundit, Shqipëria apo Kosova apo Maqedonia duhet të kuptohen sikur janë, pjesë të së tërës europiane.
Kjo detyrë i takon Gjermanisë. Gjermania nuk duhet ta mbylli njërin sy përballë regjimeve të korruptuara, të cilat shpenzojnë paratë e pista në të gjitha mënyrat, për të përjetësuar regjimin e tyre kriminal në praninë e Ambasadorëve dhe institucioneve Perëndimore, që i shpërdorin dhe i censurojnë, sikur Ju censuruan Ju z.Ambasador !
Në këtë situatë kritike, Ju bëj lutje dhe thirrje dhe, përmes Jush, edhe Zonjës Kancelare që t’i mbështesni shqiptarët jo këtë kaste politike që e ka çuar vendin në zgrip e kolaps të plotë dhe që është dënimi kapital për popullin e tyre.
No comment
Zonja Buçpapaj pergezime per artikullin; Keni goditur ne qender te mafies politike shqiptare! Eshte e vertet, kater persona me grupet e tyre kriminale vazhdojn te vjedhin pasurin kombetare! Politika ka marre peng lirin dhe te drejtat e shqiptareve! SHBA dhe Europa duhet ti bejne embargo rregjimit kleptokratik te drejtuar nga Edi Rama! Eliminimi politikisht i bandave te Edi Rames, Ilir Metes me Bashen-Berishen ,çlirojn vendin nga trashigimtaret e partis kriminale te PPSH! Shqiptaret kane te drejten universale te jetojne ne liri te plot me distinacion familjen Europiane!
Si gjithmonë Intelektualja patriote Elida Buçpapaj godet aty ku ështe sëmundja ideologjike e komunizmit. Për të tillë intelektual ka nevoje kombi ynë nē këtë situatë kritike që po kalojmë si shoqëri dhe komb. Flm.