SERBI- Çështja e Kosovës riktheu tensionet në skenën politike serbe, këtë herë brenda Parlamentit të ri, ku Aleksandar Vuçiç u përball me akuza të drejtpërdrejta nga përfaqësuesit e shumicës së re parlamentare. Në qendër të debatit ishin sulmi në Banjskë, roli i Milan Radoiçiçit dhe qëndrimet e mëparshme të ish-presidentit serb për veriun e Kosovës.
Përplasja u zhvillua gjatë seancës ku Parlamenti zgjodhi kryetarin e ri, Aleksandar Çupiçin, kandidat i Listës Studentore, e cila ka siguruar shumicën parlamentare pas ndryshimit të raportit të forcave politike në Serbi. Çupiçi mori 140 vota, ndërsa kandidati i opozitës, Stojan Radenoviç, siguroi 97 vota. Me këtë rezultat, Partia Progresive Serbe (SNS) e Vuçiçit mbetet në opozitë, pas 14 vitesh në pushtet.
Në fjalimin e tij të parë si kryetar i Kuvendit, Çupiçi kërkoi rikthimin e dinjitetit të institucionit dhe një kulturë politike të mbështetur te dialogu dhe toleranca. Ai shprehu gjithashtu keqardhje që studentëve nuk u ishte lejuar të ndiqnin seancën nga galeria e Parlamentit.
Por diskutimi për këtë vendim mori një drejtim tjetër, kur Jovo Bakiç, kreu i grupit parlamentar të Listës Studentore, solli në vëmendje praninë e mëparshme të Milan Radoiçiçit në Kuvendin serb, ndërsa studentëve u ishte mohuar hyrja.
Bakiçi akuzoi Vuçiçin se kishte ndryshuar qëndrim ndaj Radoiçiçit, duke kujtuar se fillimisht kishte mohuar njohjen me të, ndërsa më vonë kishte justifikuar veprimet e tij me pretendimin se mbronte serbët në Kosovë.
“Dhe si i mbrojti? Bëri një turp në Banjskë. Kjo u përdor si justifikim që trupat shqiptare të hynin në veri të Kosovës”, deklaroi Bakiçi.
Ai rikujtoi edhe deklaratat e mëparshme të Vuçiçit për liqenin e Gazivodës, duke ironizuar premtimet e tij se nuk do të lejonte dorëzimin e tij.
“Po çfarë ndodhi me Gazivodën? Çfarë ndodhi? Turp për popullin serb!”, u shpreh ai.
Gjatë debatit, Bakiçi kërkoi gjithashtu të dinte se ku ndodhen aktualisht Milan Radoiçiç dhe biznesmeni Zvonko Veselinoviç, duke ngritur pikëpyetje për pasuritë e tyre dhe lidhjet e pretenduara me pushtetin e mëparshëm. Nga ana e tij, Vuçiçi mbrojti praninë e Radoiçiçit në Parlament, duke argumentuar se ai kishte marrë pjesë në një seancë të posaçme kushtuar Kosovës dhe Metohisë, në cilësinë e nënkryetarit të Listës Serbe.
“Kur folët për praninë e zotit Radoiçiç këtu, nuk thatë vetëm një gjë: se ai ishte i pranishëm si nënkryetar i Listës Serbe, sepse tema ishte Kosova dhe Metohia”, u përgjigj Vuçiçi.
Përplasja merr rëndësi të veçantë edhe për shkak të zhvillimeve të fundit rreth Radoiçiçit. Më 17 nëntor, autoritetet serbe e shpallën atë në kërkim pasi nuk iu përgjigj thirrjes për tu paraqitur në polici. Ai ka pranuar organizimin e grupit të armatosur që kreu sulmin në Banjskë më 24 shtator 2023, ku u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku.
Debati në Parlament tregon se përgjegjësia për ngjarjet në Banjskë dhe qëndrimi i Beogradit ndaj Kosovës mbeten çështje të debatueshme edhe në përbërjen e re parlamentare të Serbisë./Dosja.al