E Shtuna në Gjirin e Lalëzit, u shqua për rrufe dhe ylbere në media.
Në thelb brenda saj rrinin heshtja, shantazhi dhe fryma autoritare si të vetmet ujdi që i mbajnë rilindësit bashkë.
Kur dëgjuam pas Asamblesë së PS-s se disa ministrave dhe deputetëve ju besuan qarqet dhe veçanërisht Tirana e përforcuar, e reja për riorganizim partiak në zgjedhjet e pritshme ishte se një pjesë prej tyre nisën të bëjnë statuse mirënjohëse dhe t’i thurin lavde kryeministrit. Më e spikatura ishte ATSH-ja e cila ndau menjëherë si një lajm gëzimin me pensionistet. Subjekti në fjalë ishte se fizikisht drejtuesit politikë të qarqeve kishin filluar me urgjencë takimet dhe në një titull reflektohej:-“Demo: Besimin e Ramës dhe Asamblesë do ta kthejmë në rezultate për Tiranën”.
A mban më ky konceptim edhe në 2026-ën apo drejt BE-së 2030 apo ky vazhdon të na ngjajë me udhëheqësit e dikurshëm të kohës së Hoxhës?
E pra këtë ta bën vetëm propaganda dhe zoti Demo si mbajtës dy portofolave ministrore ndërkohë, ka marrë këtë barrë përkushtimi për kryeqytetasit, për zgjedhjet e ardhshme (të dekretuara nga presidenti i RSH për 9 Maj, 2027), dhe do e bëjë mesa duket Tiranën si Berati. Për rilindësit në pushtet lufta politike ka filluar dhe sipas disa drejtuesve të lartë humbjet nga marrja e të gjitha bashkive prej kundërshtarëve do të jenë fare të pakta ose ndoshta edhe asnjë dhe kjo vetëm për shkak të pakujdesisë të tyre. Kështu ka deklaruar në një studio sekretari i përgjithshëm i PS Blendi Klosi:-“Mos kini asnjë merak. Do ta fitojmë bashkinë e Tiranës dhe do t’i fitojmë të gjithë bashkitë e vendit përveç aty ku mund të bëjmë ndonjë gabim…” dhe duke shkuar më tej me gjithë sukseset ai garantonte;“…edhe fitoren e mandatit të 5-të në vitin 2029”.*
Ku e gjejnë këtë garanci rilindësit dhe çfarë po luhet mund të ishte një pyetje direkte?
Aprovimi i Buxhetit 2027 dhe Ndarja Territoriale (?!).
Por realiteti shqiptar tregon se nuk është vetëm as asambleja e parti-shtetit. Nuk janë as rrjetet sociale të mbikëqyrura nga patronazhistë dhe nuk do të mbeten as detyrat partiake për mediat e kujdesshme për të shkaktuar një propagandë kaq të zhurmshme aq sa ky projekt “Traktati i Anëtarësimit” t’i ngjasojë vetëm një parulle të zgjedhjeve të shkuara pa program “Pasaporta e BE-së” dhe të harrohet se prej 170 ditësh po protestohet dhe po bojkotohen veprimtari çdo ditë. Prej fillimit të Tetorit të rinjtë kanë ndërprerë vazhdimisht mësimin dhe përshkallëzimi i dhunës së policisë dhe i masave administrative përmes gjobave ende nuk janë dëgjuar si çështje shqetësuese në një seancë plenare në Kuvendin e Shqipërisë. Duhet dëgjesë publike për 2001 policë të plagosur, por edhe për 2700 forca policie të paguara me 2500 euro. Duhet dëgjesë për mbi 200 gjoba ndaj protestuesve me 2.3 milion lekë, për rreth 1000 protestuar, shumë të lënduar dhe plagosur që e kanë shmangur spitalin, për 200 të mitur të shoqëruar në komisariate, pa harruar urdhërat për përdorim të plumbave të gomës, gazin lotsjellës dhe mos profesionalizmin e policisë për zbutjen e përplasjeve deri në lejimin e pasojave të goditjes së institucioneve për t’i shërbyer fshehjes nga kërkesat e drejta të protestës ndaj qeverisë për korrupsion dhe dorëheqjen e kryeministrit. Kjo është dëgjesa me popullin, përgjegjësia dhe dialogun mbi ligjin për të folur mbi të vërtetat për popullin dhe jo institucionet e përfaqësimit të popullit të rrethuara me hekura, me polici dhe gardistë ku prej çdo seance del fitues forca e kartonëve të shumicës së kapur.
A është përgjigjur në seanca plenare për protestat e dhunshme ministri i brendëshëm i sapo vendosur apo ai e ka më të thjeshtë të zbatojë urdhërat e kryeministrit?
Kjo është dëgjesa që nuk ka më nevojë për të filluar fushatën zgjedhore sepse ajo moralisht e ka rrëzuar sot mazhorancën.
Realiteti shqiptar me mënyrën se si trajtohen faktet ku në qendër janë fitorja e zgjedhjeve të 2027-ës nuk është as asamble e parti-shtetit dhe nuk janë as rrjetet sociale.Pas shtrëngatës në Lalëz dhe rrufesë që shkrepi si togfjalëshi magjik “Traktati i Anëtarësimit të Shqipërisë”, ylberi që doli u hodh jo rastësisht në mediat propagandë të Rilindjes Socialiste prej kryeministrit, kryetarit të saj përpara rreth 500 pjesëmarrësve (200 petritëve), në asamble dhe veçanërisht për më të rinjtë.
Të vjetrit/vjetrat në jetën politike në rrugëtimin 14 vjeçar tashmë janë ndarë dhe shfaqen përkatësisht si kundërshtarë, në të paralajmëruar për përjashtim dhe pjesa më e re e mbetur (pas Majit 2025) bashkë me besnikët/et të vendosur si ithtarë të kauzës personale të kryetarit janë po ata që çuditërisht në se janë në parlament e bëjnë votën bashkë.
Asambleja e Lalëzit kishte dhe ka aq shumë material në ato orë që u zhvillua sa nuk mund të mblidhet dot vetëm me një paragraf pasi brenda saj ndodhen pafund prapaskenat dhe aleancat korruptive.
Në se e reja që po kërkon të sjellë ndryshimin, ajo ka se çfarë tani më shumë të kuptojë se çfarë duhet larguar, prishur nga ky sistem korrupsioni që jeton me para dhe mbi imazh e propagandë dhe se sa i nevojshëm sot është bashkimi qytetarëve shqiptarë dhe bashkëpunimi opozitar në betejën e përditshme të qëndresës kundër parti-shtetit.
Ishin gjestet, ishte gjuha, ishte sjellja arrogante dhe deri tek filozofia mbisunduese e monopolit politik e më përtej deri tek shpërthimet e padëgjuara ndër rradhët e pjesëmarrësve në Asamblenë e Lalëzit të cilat sigurisht do ta fusin këtë akt si një ndër kapitujt fundorë të viteve të jetës së Rilindjes Socialiste. Një lëvizje politike që rrëmbeu bazën socialiste dhe që me një numër sa asambleja përfaqëson sot me të mbeturit dhe të ikurit superstrukturën elitare që ka në dorë jo vetëm buxhetin e shtetit, jo vetëm rrjetin e klientëve, jo vetëm shërbëtorët pranë autokratit, por edhe individët që do të jenë mbikëqyrësit e ndarjes së re territoriale dhe ushtarët në betejën e marrjes së votave për zgjedhjet vendore 2027.
Vetëm nëse do ta kuptonim kështu dallgën e rilindësve socialiste mund të tregojmë atë që praktikisht i duhet gjithë frontit opozitar për të vepruar pa asnjë vonesë drejt bashkimit.
Përse ra rrufeja e “Traktatit te Anëtarësimit të Shqipërisë” në Asamblenë e Lalëzit?
Sepse përgjegjësitë individuale u bashkuan në një të vetme dhe vendimmarrja ishte edhe njëherë heshtja, shantazhi dhe përjashtimet ose mbrojtja e tezës së hedhur se nga që nuk ka opozitë. Ose debati politik brenda radhëve të rilindësve duket si pluralizëm brenda të njëjtit grupim (sekt) i gatshëm për të hyrë në BE si i pari parti-shtet.
Në se duhet prova, kjo gjendet me shumicë sot në mediat për mënyrën se si e trajtojnë protestën, qeverinë dhe opozitën.
Debati që zhvillohet “i ashpër”në asamble, fryhet më pas me çdo trajtë dhe ngjyrë në media si një ngjarje e jashtëzakonshme. Por kur vjen finalja kartonat e ngritur ne parlament asnjëherë nuk e zhgënjejnë partinë nga ligjet më pak të rëndësishmit e deri tek ato vendimtaret ku të ndëshkuarit dhe kryetari i bashkohen fuqisë të kartonëve për të qenë parimisht dakord, vetëm përpara, drejt BE-se 2030.
Pas farsave zgjedhore në çdo dy ose katër vite, kjo farsë e përjavshme e parlamentit vërteton se si kalojnë ligjet me shumicën e kartonëve në Kuvendin e Shqipërisë dhe tregon pikërisht realitetin dhe pakënaqësinë dhe zemërimin popullor.
Përse kryetari i rilindësve u tha pjesëmarrësve në asamble që “e kanë me juve dhe jo me mua”?
Ky fragment lidhet me të papriturën që kanë sjellë gati 6 muaj protestë qytetare.
Sipas ATSH-s që ka publikuar fjalën e plotë të kryeministrit dhe njëherësh kryetari i PS thuhet se :-“… tani po duket gjithmonë e më qartë ajo që unë e kam thënë krye të herës, mbase pak më shpejt se ç’duhej, që aty në atë protestë kishte nga të gjitha dhe aty pjesa e rëndësishme për ne, për mua ishin të gjithë mijëra e mijëra qytetarë që i kishte sjellë aty pikërisht pritshmëria më e lartë për gjërat qe i shqetësojnë po që ‘sorrat dhe korbat’ ishin pjesë aty, kjo besoj tani është shumë e qartë. Po që duart e huaja ishin pjesë aty, kjo është po kaq e qartë. Kështu që nuk ka qenë as përqeshje as anatemim.
Ka qenë vetëm ndarje me publikun, e të vërtetës komplekse të asaj proteste dhe iluzioni i largimit tim me dhunë se ata nuk e kanë me mua, ata e kanë me ju, e kanë me Partinë Socialiste. Unë jam thjesht pengesa më e madhe dhe manipulimi i madh që e shoqëruan atë iluzion, kanë krijuar një shtresë toksike që ne duhet ta purifikojmë në të gjithë territorin, me fjalën tonë, me faktet tona, me përgjegjësinë dhe me angazhimin tonë për të dëgjuar njerëzit.”Pra kryeministri tani ka një hakërrim me të tijët në dukje dhe protesta për të konsiderohet çështje e mbyllur, me dhunën, me policët e “mirëpaguar”, me shpenzimet e reja pajisjet antitubim dhe shpërndarje protestash, me vendosjen e gjobave ndaj çdo pjesëmarrësi të dyshuar si dhe arrestimet e shoqërimet ndaj tyre, ai mendon se i ka garancitë për ta çuar regjimin e tij në çdo zgjedhje që vjen dhe sado kohë që do t’i duhet për t’i mbajtur premtimin para vetes se u ul në tryezën e BE-së.
T’i besosh kësaj fatkeqësie është njësoj sikurse të largohesh nga beteja për të mbrojtur lirinë dhe të drejtën, familjen, shoqërinë, mirëqenien dhe të ardhmen e kombit.
E përsa Asambleja nuk mjaftonte me mesazhet e zhurmshme të saj dhe herë-herë pa krye, vetë kryeministri doli me një përmbledhje javore ndryshe nga podkastet e bisedat duke bërë përmbledhjen e “suksesit ndërkombëtar” nga takimet e Parisit, të Dublinit dhe të Lalëzit ku qartë dallon se ‘Flamingot e dashura’, ‘Sofra e Dialogut’ tashmë i kanë lënë vend një identiteti të ri në llogarinë e rrjeteve sociale,… ëndrra e dy flamujve krah njeri-tjetrit, një fund që i zoti e pret shpejt, por jo shqiptarët për të mos patur të njëjtin kryeministër më gjatë në pushtet.
Pra i mesazhit të qartë se kryeministri i lau duart me protestat dhe tani sheh përpara.
Por sa më përpara lind pyetja?
Pa program ose me parullën e re të shpikur “Traktati i Anëtarësimit”.
Në fakt dihet se Shqipëria ka mbyllur përkohësisht vetëm 4 nga 33 kapitujt e saj negociues.
Ndër kryesore kërkesat janëSundimi i Ligjit dhe Qeverisja, që hapet dhe mbyllet i fundit me domosdoshmëritë e një reforme të plotë gjyqësore, gjykata të pavarura, luftë me rezultate kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe një shtet i drejtuar nga një administratë publike profesionale dhe të përgjegjshme.
Përshtatshmëria me Ligjet e BE-së ku Shqipëria duhet të plotësojë tërësinë (mijëra) rregullore dhe direktiva të BE-së në ligjin vendas për sektorë si; ekonomia mjedisi, bujqësia dhe ata socialë. Kapaciteti Institucional e Administrativ kërkon që ministritë dhe organet shtetërore duhet të zbatojnë ligjet e BE-së dhe të menaxhojnë fondet evropiane në mënyrë transparente të provuara në vazhdimësi. Ndërsa, Politika e Jashtme dhe e Sigurisë, kërkojnë që Shqipëria duhet të ruajë 100% përputhshmëri me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së.
Këto janë detyra dhe përgjegjësi për politikën pluraliste.
Për këtë duhet mjaft karburant të cilin korrupsioni i parti shtetit e ka konsumuar ose e ka ruajtur.
Energjitë dhe djerrja morale e rilindësve të kujton një thënie të kryetarit të tyre kur në zgjedhjet e 2021 që synonte fitoren dhe zgjatjen e pushtetit tregonte se:-Do të bëj çmos, nuk do ta lejoj veten që të iki pasi të kem humbur.”
Pra a është sot togfjalëshi i shumë përdorur në Asamblenë e Lalëzit, dhe i dëgjuar për të parën herë ndoshta kaq dendur “Traktati i Anëtarësimit”
momenti për të justifikuar largimin, apo autokrati do përballet deri në fund me protestën, qeverinë teknike dhe zgjedhjet e reja.
_____
*200 petritëve- ishin 500, por është një numër i përafërt pasi ende burimet nuk e kanë sqaruar enkas atë për shkak të efektit shpenzime në transport, shoqërim dhe akomodime. Megjithatë numri 200 mbetet simbolik.
*Asambleja- është pjese e grumbullimit ku vendimmarrja kolektive u mundëson anëtarëve të debatojnë, të votojnë dhe të përcaktojnë platformën zyrtare, politikat dhe drejtimin ideologjik të partisë.
*ndjekës, ithtar, mbështetës ose besimtar ndaj një personi, filozofie, lëvizjeje politike ose fetare të caktuar.
* 16/11/2026-Top St0ry
16 Nëntor, 2026
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)