LËVIZJA PËR ZHVILLIM KOMBËTAR
Tiranë, më 19.11.2026
“Lëvizja për Zhvillim Kombëtar” fton OSBE/ODIHR, trupin diplomatik dhe institucionet ndërkombëtare që të angazhohen me standarde demokratike dhe jo me ekuivoke diplomatike për Reformën Zgjedhore në Shqipëri, si kusht primar të integrimit të Shqipërisë në BE.
Deklaratë për mediat
“Lëvizja për Zhvillim Kombëtar” e rivlerëson urgjente domosdoshmërinë e një reagimi të thellë politik dhe institucional ndaj Reformes Zgjedhore, si kolona bazë e një demokracie funksionale.
E bëjmë këtë, sepse deri më sot, jo vetëm që nuk është bërë ndonjë progres, por përkundrazi, shenjat janë se ajo po degradon. Sipas deklaratës së fundit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, votimi dhe numërimi elektronik do të kryhet në rreth 450 qendra votimi nga 5,225 që janë gjithsej (vetëm 8.6 %), me justifikimin se nuk pranon PD votimin dhe numërimin elektronik. Pra, në zgjedhjet e 9 majit 2027 votimi dhe numërimi elektronik do të kryhet vetëm në një bashki.
Kështu, pranohet një regres i dukshëm në krahasim me zgjedhjet lokale të 2023, ku votimi dhe numërimi elektronik u krye në 3 bashki dhe në 1 njësi administrative.
Mandati i Komisionit Parlamentar për Reformen Zgjedhore përfundon më 30 nëntor dhe deri më tani PS dhe PD nuk kanë arritur asnjë produkt në funksion të reformës zgjedhore. Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Michel Tarran, u takua me dy bashkëkryetarët e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, ku u kërkoi palëve të përshpejtojnë punën dhe të arrijnë një marrëveshje për ndryshimet që duhen bërë për zgjedhjet vendore të 9 majit 2027. Tarran theksoi nevojën e një procesi gjithëpërfshirës në reformë që është thelbësore për të rritur besimin e qytetarëve te zgjedhjet.
Duke e vlerësuar këtë angazhim të ambasadorit Tarran, shprehim keqardhje se përse nuk u prononcua për deklarimin më të fundit të KQZ për votimin dhe numërimin elektronik!
Pyesim zotin Ambasador:
– A e dini se në 35 vite demokraci në Shqipëri procesi i numërimit të votave në zgjedhje bëhet nga komisionerë politikë të dy partive kryesore dhe rezultati nuk pranohet pas zgjedhjeve nga humbësi!?
– A e dini se të gjitha partitë jashtë PS-PD kërkojnë votimin dhe numërimin elektronik!?
– Në Francë nga është ambasadori, apo në cilin vend të BE votat e konkurentëve në garë numërohen vetëm nga dy partitë kryesore!?
“Lëvizja për Zhvillim Kombëtar” vlerëson se është domosdoshmëri kombëtare që ta frenojmë me çdo kusht vazhdimin e kompromisit të PS & PD dhe të gjejmë rrugën e duhur për një Reformë Zgjedhore që garanton zgjedhje të lira, të ndershme dhe brenda standarteve demokratike perendimore.
Prandaj, “Lëvizja për Zhvillim Kombëtar” fton OSBE/ODIHR, trupin diplomatik dhe institucionet ndërkombëtare që të angazhohen me standarde demokratike dhe jo me ekuivoke diplomatike për Reformën Zgjedhore në Shqipëri, si kusht primar të integrimit të Shqipërisë në BE.
Miratimi me konsensus sa më të gjërë politik të Reformes Zgjedhore është domosdoshmëri kombëtare për rikthimin e funksionimit normal të shtetit dhe të demokracisë.
Lëvizja për Zhvillim Kombëtar
Bashkëkryetarë
Dashamir Shehi Ekrem Spahiu