Ata që janë në pushtet kanë frikë nga ndryshimet.
Ata që janë përmbysur ëndërrojnë ndryshime dhe punojnë për to.
Kurse vegjëlia rri në mes dhe paguan dëmet.
— Sokrati
Nëse ka një e vërtetë që ka udhëtuar pothuajse e pandryshuar nëpër shekuj, ajo është se lufta për pushtet rrallëherë pushon. Ndryshojnë emrat, flamujt, sistemet dhe sloganet, por mbetet i njëjti cikël: dikush përpiqet të ruajë pushtetin, dikush tjetër përpiqet ta marrë atë.
Mes tyre qëndron njeriu i zakonshëm.
Ai nuk zgjohet në mëngjes duke menduar për strategjitë e partive. Nuk fle duke llogaritur koalicionet. Nuk i kalon ditët duke ndërtuar pushtet. Ai zgjohet për të siguruar jetën, për të rritur fëmijët, për të mbajtur familjen, për të ruajtur dinjitetin.
Por pikërisht ai është ai që paguan më shumë.
Kur ekonomia dobësohet, ai e ndien i pari.
Kur çmimet rriten, ai shtrëngon rripin.
Kur institucionet dështojnë, ai pret në radhë.
Kur drejtësia vonon, ai humbet besimin.
Kur politika polarizohet, ai humbet qetësinë.
Pushteti dhe opozita shpesh paraqiten si kundërshtarë të përbetuar. Në skenë duken të ndarë nga gjithçka. Por nga këndvështrimi i qytetarit, nganjëherë ato duken si dy brigje të të njëjtit lumë: të zëna me njëra-tjetrën, ndërsa uji rrjedh mbi jetët e njerëzve.
Në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi e Luginën e Preshevës, shqiptari i zakonshëm ka dëgjuar premtime për dekada. Ka dëgjuar fjalë për zhvillim, reforma, integrim, rilindje, ndryshim, transformim. Disa prej tyre kanë sjellë përmirësime reale. Të tjera kanë mbetur vetëm jehonë fjalësh.
Megjithatë, populli vazhdon të presë.
Pret një shkollë më të mirë për fëmijët.
Pret një spital ku njeriu të trajtohet me dinjitet.
Pret një gjykatë ku e drejta të mos ketë çmim.
Pret një administratë që shërben dhe nuk sundon.
Pret një treg pune ku suksesi të vijë nga aftësia dhe jo nga lidhja.
Kjo pritje nuk është thjesht ekonomike. Ajo është morale.
Sepse njeriu nuk ushqehet vetëm me bukë. Ai ushqehet edhe me ndjenjën se jeton në një vend ku ka vlerë, ku respektohet dhe ku e ardhmja nuk është një derë e mbyllur.
Ndoshta drama më e madhe shqiptare e dekadave të fundit nuk është varfëria, as mungesa e burimeve. Drama më e madhe është largimi i shpresës.
Kur një i ri largohet nga vendi i vet, ai nuk merr me vete vetëm valixhen. Ai merr me vete energjinë, dijen, ëndrrat dhe vitet e tij më të mira.
Kur largohet një mjek, largohet një pjesë e kujdesit të nesërm.
Kur largohet një mësues, largohet një pjesë e dijes së ardhshme.
Kur largohet një sipërmarrës, largohet një mundësi për punësim.
Kur largohet një student i shkëlqyer, largohet një mundësi për zhvillim.
Dhe kështu kombi humbet jo me zhurmë, por në heshtje.
Asnjë sirenë nuk bie.
Asnjë kambanë nuk lajmëron.
Vetëm aeroportet mbushen dhe fshatrat zbrazen.
Në këtë pikë duhet bërë një pyetje e vështirë:
A ekziston politika për qytetarin, apo qytetari për politikën?
Në teori, përgjigjja është e qartë. Në demokraci pushteti duhet të jetë shërbim. Funksioni i tij është të krijojë kushte që njeriu të jetojë më mirë, më lirë dhe më me dinjitet.
Por sa herë që pushteti fillon ta shohë veten si qëllim në vetvete, ai largohet nga misioni i tij.
Dhe sa herë që opozita e sheh ndryshimin vetëm si rrugë drejt pushtetit, ajo rrezikon të bëhet pasqyrë e asaj që kritikon.
Prandaj shoqëritë përparojnë vetëm kur lind një kulturë ku shteti është më i rëndësishëm se partia, ku institucioni është më i rëndësishëm se individi dhe ku interesi publik është më i rëndësishëm se fitorja politike.
Historia shqiptare është histori mbijetese.
Ky popull ka kaluar pushtime, perandori, ndarje kufijsh, luftëra, represione dhe tranzicione të gjata. Ka kaluar periudha kur gjithçka dukej e humbur dhe megjithatë ka gjetur forcë për të vazhduar.
Kjo është arsyeja pse shpresa nuk është luks për shqiptarët. Ajo është një formë mbijetese.
Por shpresa nuk mund të mbahet gjallë pafundësisht vetëm me fjalë.
Ajo ka nevojë për drejtësi.
Ka nevojë për meritë.
Ka nevojë për mundësi.
Ka nevojë për institucione që funksionojnë.
Ka nevojë për njerëz që mbajnë përgjegjësi për atë që premtojnë.
Në fund, pyetja nuk është se kush do të fitojë zgjedhjet e ardhshme.
As kush do të jetë në pushtet nesër.
Pyetja është më e thellë:
A do të arrijmë të ndërtojmë një shoqëri ku fëmijët të mos kenë nevojë të largohen për të ëndërruar?
Ku pleqtë të mos ndihen barrë?
Ku puna të vlerësohet?
Ku ligji të vlejë për të gjithë?
Ku politika të matet me shërbimin dhe jo me propagandën?
Sepse kur të vijë ajo ditë, formula e vjetër do të humbasë forcën e saj.
Atëherë pushteti nuk do të ketë frikë nga ndryshimi.
Opozita nuk do ta kërkojë ndryshimin vetëm për vete.
Dhe vegjëlia nuk do të paguajë më dëmet e betejave të të tjerëve.
Atëherë qytetari nuk do të jetë më spektator i historisë.
Do të jetë arsyeja pse historia shkruhet.
Vendi i Lekës,14.06.2026





Besoj që Vjosa Osmani do të kuptoj shumë nga vizita e stërgjatur në Shqipëri. Sikur të ndante një ditë prej tyre për diasporën sigurisht që edhe ne do të flisnim për te, por, prej vdekjes së ish presidentit Ibrahim Rugova, as kush nuk e kthen kokën nga shqiptarët jashtë atdheut, fëmijët tanë çdo ditë janë nën nofullat e asimilimit por, askujt nuk i intereson kjo punë.
Bazat e organizimit të mësimit plotësues shqip i vuri qeveria e Rugovës, Ministri i Arsimit në “ekzil “Muhamet Bicaj (1996/97 )organizoi shkollat shqipe në 14 shtete evropiane. Shkollat ishin pajisur me planprogram, tekste dhe mësuesit zgjidheshin me konkurs. Pas çlirimit të gjithë i kishim sytë nga Atdheu por mundi e sakrificat e diasporës askush nuk i vlerësojë më. Pse të lodhemi për Vjosën kur ajo nuk lodhet për ne.
E dashur Arta,
mendoj se nuk ke të drejtë për këtë qendrim, por që të jesh e revoltuar se diaspora është lënë në mëshirë të fatit, ke shumë të drejtë. Veç mendoj se diaspora duhet të organizohet vetë dhe të jetë e pavarur nga politika që vetëm e dëmton dhe përçan. Mos harro se kjo diasporë jepte 3% për sistemin paralel në Kosovë, ndërsa tani 97% e fëmijëve nuk frekuentojnë shkollat e gjuhës shqipe. Nëse diaspora do të organizohet vetë duke e mbajtur politikën sa më larg, do të shohim të gjithë rezultatet pozitive.
Sa për Vjosa Osmanin, atë nuk e njeh lidërshipi i LDK-së, lidërshipi i LDK-së e konsideron “armike”. Kjo që kur e ka rrëzuar me puç antidemokratik qeverinë e Albin Kurtit pas 52 ditësh. Zgjedhja e kryeministrit Hoti është po ashtu puç antidemokratik, sepse LDK bëri fushatë që kryeministre të jetë Vjosa Osmani. Mos harro se Vjosa Osmani ishte nga të paktat deputetë të LDK-së që votuan kundër presidencës të Hashim Thaçit duke respektuar vullnetin e Sovranit, ndryshe nga sa mashtroi Isa Mustafa që i premtoi elektoratit se do të nxjerrë në opozitë Hashim Thaçin dhe në fakt e zgjodhi president me votat e LDK-së. Të lutem mos harro se 2020 është viti i pandemisë, ku lëvizjet dhe gjithçka është bërë gati e pamundur.
Vjosa shkoi në Tiranë dhe kërkoi ngritjen e tarit mes Kosovës dhe Shqipërisë, në kohën që Edi Rama ka mbështetur miniShengenin e inicuar nga Aleksandër Vuçiç, pra Tirana zyrtare hap kufijtë për Serbinë dhe i mbyll për Kosovën.
Kosova është në ngërç, por mendoj se ky është i fundit. Zgjedhjet e reja do të konfigurojnë parlamentin e ri nga do të dalin qeveria dhe presidenti. Mos i kërko llogari Vjosës që i ka lënë fëmijët pa shkolla, por përgjegjësit e vërtetë, që jemi edhe ne komuniteti. Të përshëndes dhe të uroj një vit të ri të mbarë për ty dhe Familjen.
Elida