Baaam…
Baaam…
Baaam…
Kambana e kishës çau heshtjen e shurdhët nën atë kupë qielli që zotëronte krejt fshatin kufitar.
-Ç’është kjo kambanë? Kush ka vdekur?-pyeti Mane, më i madhi i barinjve lebër që dimëronin prej vitesh të imtat ndanë fshatit.-Ç’të jetë?!- pyeti më tepër veten në kasollen pranë nomesë sesa tre barinjtë e rinj .
-Kushedi, kanë zakonet e tyre fetare- tha njeri.
-Jo. Kjo është kambanë vdekje. E njoh mirë këtë kambanë zije se kam vite në vërri. Kësaj ane të fshatrave të krishtera.
Këmbana mortore nuk pushonte në intervale të njejta dhe pauza të gjata.
Intervalet e ndërprera përcillnin përzishëm dhimbje.
Baaam…
Baaam…
Baaam…
-Beco, zbrit poshtë te shtëpitë dhe pyet ku është kësolli.
Ai që quhej Beco u nis drejt shtëpive.
***
Pas pak, të lehurat e qenve të stanit u shpeshtuan dhe u bënë më të egra.
- Ç’kanë? Bibi, dil e shih, mos hanë njeri!-iu drejtua Mane djaloshit tjetër.
Në bregoren pranë nomesë u shfaq befas rasoja e zezë e priftit të atyre anëve. (silueta). Në dorë mbante një stap. Qentë kërcyen më egërsisht me lehje të pandërprera.
-Urdhëro Papaa!. Mos kij frikë se i mbajnë djemtë!
-…Balooo!Boll tani! Murro! Hë, mjaft!- u dëgjua nga nomeja më i moshuari i barinjve.
Të katër lebërit e nomesë i dolën përpara. Në praninë e tyre, qentë u qetuan.
-Mirë se erdhe, Papa! Mirë se na urdhërove në stan!-tha Mane.
-Faleminderit o njerëz të Zotit! Erdha se kam, nevojë për ju…Për të katërt.
-Për hair!…
-Po. Kam nevojë për të katërt. Ka vdekur një i moshuar në këtë fshat që po soset pak nga pak nga frymët e të gjallëve. Nga familja e të ndjerit, tani, ka mbetur gjallë vetëm plaka. Fillikat.Tetëdhjet e pesë vjeçe. Askush tjetër.
Të katër barinjte e ndiqnin me vëmendje e respekt rrëfimin e njeriut të Zotit.
-Nga tre të gjallët e vetëm që kishin mbetur deri dje në këtë fshat, tani, kanë mbetur, dy: Plaka e të ndjerit Dhroso që i kishte shkelur nëntëdhjet e tetat dhe Niko, një tjetër i moshuar, i vetmuar, rreth të nëntëdhjetave…
-Ngushëllime për të pasmit!-tha Mane.
-Faleminderit! Po tani kemi nevoje që të hapim varrin për të ndjerin !
– Papa, na ke gati !- tha më i moshuari.
-Të ndjerin, e kemi njohur-shtoi. – Bile, i shpinim edhe qumësht në shtëpi çdo herë që vinim me kope për dimërim.
Në nome ra heshtje.
-Varrin do ta hapim ne. Na thuaj se kur duhet?-tha Mane.
-Zoti ua shpërbleftë, o njerëz të mire! Po të mundeni, që tani se koha, nuk pret. Se dua do të bëj edhe meshë mortore në kishën e fshatit.
Mane hodhi sytë nga të rinjtë si të kërkonte një mendje.
-Patjetër,-tha i pari.
-Patjetër,-u hodh i dyti dhe i treti.
Papai u ndije i vlerësuar dhe i kënaqur nga të katër të huajt.
-Zoti i madh ua shpërbleftë në të mira për familjte tuaja!-tha njeriu i perëndisë duke bërë disa herë kryqin në ajër.
Papai priu. Të katërt e shoqëruan për nga fshati.
Nomeja mbeti pas.
***
-Djema, o njerëz të zotit. Më kuptoni. Pas gropës…dhe punës me të, ju dua përsëri të katërve. Do shkojmë në kishë. Dua të bëj meshën e përshpirtjes për të ndjerin Dhroso.
Mane, desh t’ë thoshte: ç’meshëzeza do bësh me katër veta dhe kishën bosh, por ndërroi mendje.
– Peqe, Papa!(kup.pop.labëri: “dakord.”) Na thuaj dhe, pas na ke!
– U dua që të vini edhe ju në kishë. Të them dy fjalë përcjellje për të ndjerin…Le të jemi një grusht njerëzish. Zoti, nuk na numëron.
***
Atë ditë, porta e kishës ishte hapur që herët.
Që nga kandilthirësi, disku metalik me rërë dhe qirinj të ndezur, përhapej aroma e njohur e thimjanit dhe livanit përzier me lagështirën e mureve dhe çatisë me dërrasa guri.
Tre të rinjtë shikonin nga Papai dhe Mania duke i imituar ata në ritualin e vendosjes së qirinjve në diskun me rërë të kandilthirësit. Aroma e qirinjve të ndezur për shpirtin e të ndjerit, u bëri përshtypje barinjve lebër që qëndronin në këmbë me nga një qiri të ndezur në dorë.
Era që frynte nga jashtë u jepte hark flakëzave të arta të qirinjve siç harkohet bari nga rryma e ujit pranë burimeve.
Në oborr nuk kishte njeri. Vetëm një qen plak i shushatur që i gëzohej frymës së njerëzve duke tundur bishtin.
Në shenjë ngushëllimi, Mane iu afrua të zonjës së hallit, plakës së ve që po qante me dënesë në rreshtin e parë të ulëseve të drunjta të sallës.
–Silipitiria*(gr.ngushëllime!)”, Mana!Të të rojnë ç’ke!-dhe i vuri dorën në sup.
Tre të tjerët që nuk dinin asnjë fjalë greqisht, iu afruan gjithashtu plakës të ngjyer në të zeza që nuk dinte asnjë fjalë shqip.
-Ngushëllime! Silipitirja!
-Ngushëllime! Silipitirja!
-I paharruar! Silipitirja!
E brengosur, me duart e holla e të reshkurar, mana i takoi me një ndjenjë mirënjohje dhe habie bashkë. Bri saj, i moshuari tjetër me një shkop në dorë, qëndronte i pikëlluar.
– Evloghitós o Theós imón pándote…I bekuar është Perëndia ynë, gjithmonë, tani e përherë e, në jetë të jetëve. Amin.” …
Liturgjia e përmortshme kishte nisur.
«I Shenjtë është Perëndia, i Shenjtë i Fuqishmi, i Shenjtë i Pavdekshmi, mëshiro-na.»
Kryqi në duart e Papait, çante hapësirën gjysmë të errët të kishës.
„Evloghitós o Theós imón pándote…“Sot përcjellim me lutje vëllanë tonë në Krisht, i cili pasi përmbushi udhën e kësaj jete dhe arriti moshë të thellë, kaloi nga kjo jetë në jetën e amshuar….”
Mane me kokën unjur dhe kasketën në dorë shikonte në një pikë nga figurat e ikonostasit të vjetër. Edhe tre të rinjtë kishin mbërthyer vështrimin nga ikona e Shën Mërisë me shprehjen plot përdëllim.
Fjalë e priftit dukeshin se dilnin jo nga goja e tij, por nga pamjet mistike të ikonave të gdhendura në dru dhe me një djenjë hipnotike sikur depërtonin drejt e në veshët dhe shpirtin e secilit.
“O Perëndi i shpirtrave dhe i çdo mishi, Ti që e shkele vdekjen, e rrëzove djallin dhe i fale jetë botës sate, jepi prehje shpirtit të shërbëtorit Tënd, Dhrosos në vend të ndritshëm, në vend të gjelbër, në … Vetëm Ti je pa mëkat; drejtësia Jote është drejtësi e përjetshme dhe fjala Jote është e vërteta.”
Në fund të shërbesës, Papa shpalli:
-Eonía i mnimi!(gr: I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!)
Në çast Papai sheh nga katër barinjtë që qëndrojnë në heshtje disi të hutuar, sepse nuk kuptojnë asnjë fjalë. Papai e kalon fjalën shqip.
-Vëllezër, sot jemi pak në këtë kishë. Por Zoti nuk i numëron njerëzit siç i numërojmë ne. Para Tij nuk ka turmë e vetmi. Ka vetëm zemra. Vetëm zemra.
-Ju të katërt erdhët nga stani, nga mali, nga bagëtitë tuaja. Nuk e njihnit mirë këtë burrë. Por erdhët. Dhe kjo, është një e mirë që Zoti e sheh.
Pas përfundimit të shërbesës, Papai u kthye nga lebërit:_
-Tani është radha juaj.
Të katërt u ndanë si nga një komandë e padëgjuar, dy nga dy në krahët e arkëmortit.
Përkulen të heshutr dhe e ngrenë duke e nxjerrë nga kisha.
Pas tyre, në atë copë udhë drejt varrezave, as dyqind metra larg, korteu I habitshëm mortor me katër lebër, dy vendas dhe një Papa dukej si në një kumt në lëvizje i një epoke të panjohur.///
***