Ministri Blendi Gonxhja qenka shqetësuar shumë nga protestuesit
I ka numëruar. I ka klasifikuar. I ka ndarë sipas moshës, profesionit, bindjeve politike. I quan “delirantë”, “histerikë”, “ekstremistë patetikë”, “humbësa”, “të frustruar”, “karikatura”, “bolshevikë”.
Një lumë fyerjesh nga një ministër i Republikës për qytetarët e Republikës.
Çfarë gjuhe e ulët. Sa e shëmtuar.
Dhe çfarë nevoje e dëshpëruar për të treguar zell. Sepse, kur një ministër ulet të numërojë protestuesit, të analizojë moshën e tyre, profesionin, bindjet, madje edhe gazetarët që kanë zgjedhur të protestojnë, është e vështirë të kuptosh nëse po flet një anëtar i Këshillit të Ministrave apo një militant që kërkon t’i dëshmojë shefit se e meriton ende karrigen.
Të krijohet përshtypja se Gonxhja po zhvillon një garë besnikërie ndaj Edi Ramës, ku medaljen e merr ai që tregohet më agresiv ndaj kujtdo që guxon të mos duartrokasë pushtetin.
Edhe qytetari që ju kundërshton është qytetar i këtij vendi. Edhe ai që proteston kundër qeverisë suaj. Edhe ai që kërkon largimin e Ramës apo fundin e këtij pushteti 36-vjeçar.
Quhet liri.
E kuptoj që pas kaq shumë vitesh pushtet kjo fjalë mund t’ju duket pak e bezdisshme.
Ai qytetar proteston sepse s’ka ujë. Sepse pensioni nuk i mjafton as për ilaçet. Sepse me rrogën që merr nuk guxon as të mendojë një kredi për shtëpi. Sepse mezi paguan qiranë. Sepse shkon në spital dhe përballet me mungesë ilaçesh e aparaturash. Sepse naftën e paguan rreth 200 lekë. Sepse pagesa që merr për aftësinë e kufizuar është qesharake përballë nevojave të tij. Sepse sheh krimin e organizuar të depërtojë në institucione dhe politikë. Sepse përballet me çmime që shpesh i duken si të Europës, ndërsa pagën e ka shqiptare. Dhe sepse, në fund, shumëkujt i mbetet si alternativë largimi nga Shqipëria.
Por ministri Gonxhja nuk merret me këto.
Ashtu si shumë prej atyre që kanë qëndruar gjatë në pushtet, duket sikur jeton në një realitet tjetër, aq larg halleve të njerëzve sa qytetarin që ankohet nuk e dëgjon më, e numëron, e etiketon dhe e përqesh.
Por ka diçka edhe më interesante në statusin e ministrit.
Vijon në koment….