VOAL

VOAL

Intervista, Zëri i Amerikës – David Phillips: Ndarja ose shkëmbimi i territoreve, alternativa më e keqe

August 10, 2018
blank

Komentet

blank

Ukrainasit qëllojnë me predha kamionin plot me ushtarë rusë

Forcat ajrore ukrainase po vazhdojnë të tregohen mjaft efikas në luftën kundër rusëve.

Së fundi, ukrainasit kanë qëlluar një kamionë plot me ushtarë të Vladimir Putinit.

“Operativno_ZSU” ka publikuar momentin e sulmimit të kamionit të mbushur me ushtarë.

Në video-regjistrim gjithashtu shihen disa ushtarë duke ikur nga automjeti pas sulmit me predha nga droni.

Lokacioni i sulmeve nuk është bërë i ditur, por një ballafaqim i ashpër po zhvillohet në qytetin e Bakhmutit.

Ndryshe, Rusia ka nisur pushtimin e pajustifikueshëm të shtetit ukrainas më 24 shkurt të vitit të kaluar duke shkaktuar mijëra viktima dhe dëme të shumta materiale. syri.net

blank

Osmani fton shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën – ta bëjnë atë

RFE/RL

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ftuar shtetet që ende nuk e kanë njohur Kosovën që ta bëjnë atë.

“Dua ta shfrytëzoj këtë rast që t’u bëj thirrje shteteve miqësore nëpër botë të qëndrojnë me Kosovën, e për ato të cilat nuk e kanë njohur shtetësinë dhe institucionet demokratike të Kosovës, [u bëj thirrje] t’i bashkohen shumicës së shteteve të botës e ta bëjnë këtë”, tha ajo.

Kështu deklaroi Osmani në fjalimin e saj në Samitin për Demokraci të organizuar nga presidenti amerikan, Joe Biden.

Kosova ka shpallur pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008. Sipas listës së publikuar në ueb-faqen e Ministrisë së Punëve të Jashmte dhe Diasporës, 117 vende të botës e kanë njohur atë.

Osmani falënderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës për përkrahjen dhe kontributin në Kosovë, dhe tha që vendi po bën dhe do të bëjë “punë të palodhshme për ta ruajtur demokracinë”.

“Ftoj të gjithë të qëndroni me ne, Kosovën, e ne të vazhdojmë të jemi aleat i besueshëm dhe kampion i demokracisë”, tha presidentja.

Samiti për Demokraci u zhvillua për herë të parë në dhjetor të vitit 2021. Ky samit virtual bashkon mbi 100 shtete nga e gjithë bota.

Deklarimi i plotë:

Demokracia është më shumë se thjeshtë një sistem qeverisjeje. Për Republikën e Kosovës, ishte dëshira jonë e fortë për demokraci që siguroi rrugën tonë drejt lirisë dhe pavarësisë. Dhe duke e forcuar atë sot, demokracia do të na hapë rrugën drejt një të ardhmeje më të ndritshme brenda institucioneve euroatlantike.

Në vetë thelbin e saj, demokracia ka të bëjë me të drejtën për ta zgjedhur drejtimin, të ardhmen dhe fatin tuaj. Populli i Kosovës ka zgjedhur rrugën e vet.

Samiti i këtij viti për Demokraci ka qenë sigurisht viti ynë i veprimit! Me forcë dhe entuziazëm të plotë kemi punuar për t`i zbatuar zotimet, të cilat i kemi përcaktuar vitin e kaluar.

Por, “viti i veprimit”, ka qenë gjithashtu një vit i sfidave të konsiderueshme globale, me shkelje flagrante të të drejtave të njeriut, të cilat po ndodhin në mbarë botën përderisa ne jemi mbledhur sot.

Kosova e di shumë mirë se si ndihet një popull i pafajshëm i cili në lëkurën e vet përjeton një lufte brutale dhe gjenocidale, dhe pikërisht sepse e dimë këtë, pa asnjë mëdyshje vendosëm menjëherë sanksione kundër Rusisë dhe e kemi mbështetur pa ndalur popullin e Ukrainës.

Vuajtja e pamasë e popullit ukrainas shërben si një kujtesë e fuqishme se asnjë çmim nuk është aq i lartë për të paguar për liri dhe demokraci – dhe ne do të vazhdojmë të qëndrojmë bashkë me aleatët tanë për t`i mbrojtur këto vlera kudo në botë.

Gjatë vitit të kaluar, kemi bërë progres të jashtëzakonshëm në avancimin e demokracisë, forcimin e sundimit të ligjit dhe luftimin e korrupsionit. Jemi duke e zbatuar Strategjinë Kombëtare për Sundimin e Ligjit, krahas reformave të pakompromis dhe me ritme rekorde për ta garantuar një qeverisje llogaridhënëse, të barabartë dhe efektive në të gjitha institucionet publike.

Përpjekjet tona janë njohur në mbarë botën. Së bashku me miqtë tanë nga Republika Dominikane ne kemi bashkudhëhequr kohortën e Sundimit të Ligjit në kuadër të Samitit për Demokraci. Përveç kësaj, sipas Freedom House, Kosova në vitin 2022 është renditur si demokracia e tretë më e përmirësuar në botë, dhe në vetëm dy vite është ngritur për 20 vende më lart në indeksin antikorrupsion të Transparency International.

Që nga takimi ynë i fundit, ne kemi punuar pa u ndalur për ta avancuar diversitetin dhe gjithëpërfshirjen si themel për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. U zotuam për krijimin e Këshillit Presidencial për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut dhe ia arritëm. Ky Këshill ka siguruar mbikëqyrjen e zotimeve dhe angazhimeve tona nga institucionet më të larta në vend dhe në çdo shtresë të qeverisjes, dhe puna e këtij Këshilli do të vazhdojë edhe përtej edicionit të dytë të Samitit.

Ne jemi gjithashtu krenarë të raportojmë mbi miratimin e një strategjie të guximshme kombëtare kundër dhunës me bazë gjinore dhe për ndërmarrjen e hapave domethënës për të garantuar vendin e merituar të grave në institucionet publike dhe role vendimmarrëse.

Një demokraci e fortë është një demokraci që vepron edhe për gratë. Ne kemi bërë hapa të rëndësishëm, por përderisa gratë vazhdojnë të përballen me mizogjininë në vendet e punës, dhunën në shtëpi, heshtjen me forcë në klasë ose keqtrajtim gjatë ecjes në rrugë – kjo betejë është larg përfundimit.

Gjatë këtij “viti të veprimit”, Kosova ka udhëhequr diskutimet globale për avancimin e të drejtave të grave duke qenë nikoqir i Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë me mbi 500 pjesëmarrës me ndikim në këtë fushë nga 6 kontinente, dhe në tetor të këtij viti do t’ju mirëpresim të gjithëve në edicionin e dytë në kryeqytetin tonë, në Prishtinë.

Te nderuar kolegë,

Përkushtimi ynë për demokraci nuk është vetëm një zotim i Samitit, është ekzistenca jonë e përditshme në vijën e parë të frontit përballë autokracive.

Përkushtimi ynë ka qenë dhe do të jetë gjithmonë i pathyeshëm.

Përkushtimi ynë për të punuar me partnerë në mbarë botën për ta mbrojtur dhe ushqyer atë, është po ashtu i pathyeshëm.

Siç tha kohët e fundit Presidenti Biden: “Në momentet e trazirave të mëdha dhe pasigurisë, gjëja më e rëndësishme është të dish se çfarë përfaqëson. Dhe të dish se kush qëndron me ty, e bën gjithë dallimin.”

Vetëm përmes bashkimit të forcave mund ta ndërtojmë një të ardhme ku demokracia është një realitet për të gjithë.

Faleminderit!.

blank

Kurti: Marrëveshja duhet të zbatohet saktë dhe shpejt

RFE/RL

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të mërkurën se Marrëveshja e arritur me Serbinë për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve, duhet të zbatohet saktë dhe shpejt.

Ai i ka bërë këto deklarata teksa e ka komentuar takimin e planifikuar për 4 prill në Bruksel, në mes të dy kryenegociatorëve në dialogun Kosovë-Serbi.

Kryenegociatori i Kosovës për këto takime është zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, ndërsa i Serbisë është udhëheqësi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

“Më 4 prill, ata do të diskutojnë çështjen e zbatimit të Marrëveshjes që tashmë është dakorduar. Pra, ka marrëveshje, ekziston marrëveshja. Ajo është shumë e qartë, publike për të gjithë”.

Kosova dhe Serbia kanë arritur Marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve më 27 shkurt në Bruksel, dhe më pas për aneksin e zbatimit të saj më 18 mars në Ohër.

Kryeministri Kurti u ka thënë gazetarëve në Prishtinë se Marrëveshja duhet të zbatohet e tëra.

“Nuk ka mundësi që diçka të zbatohet e diçka të mos zbatohet. Ashtu siç nuk mund të ketë nënshkrim të njëanshëm të Marrëveshjes, dhe as të aneksit të zbatimit, njësoj nuk mund të ketë as zbatim të njëanshëm të Marrëveshjes. Prandaj, Marrëveshjen nuk duhet ta coptojmë”, ka thënë ai.

Edhe Bashkimi Evropian ka konfirmuar se në takimin e 4 prillit palët do të diskutojnë për hapat e radhës drejt zbatimit të Marrëveshjes.

I pyetur për urgjencat eventuale në zbatim të Marrëveshjes, ai ka thënë se ky term vlen për çështjen e të pagjeturve.

Gjatë luftës në Kosovë janë vrarë rreth 13,000 njerëz, janë zhvendosur mbi 800,000, ndërsa janë zhdukur rreth 6,000.

Të zhdukur, edhe sot e kësaj dite, mbeten ende mbi 1,600 persona.

Qindra trupa të shqiptarëve të vrarë të Kosovës janë gjetur në varrezat masive në Serbi.

Me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, dy vendet janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh nga viti 2011.

Ato kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por shumica e tyre nuk janë zbatuar dhe palët kanë fajësuar njëra-tjetrën për ngecje.

blank

Editorial: VOAL do të pasqyrojë me profesionalizëm fushatën për zgjedhjet lokale të 14 Majit

Fushata për zgjedhjet vendore të 14 majit në Shqipëri po merr formë të plotë. Tashmë dihen formacionet politike që do të marrin pjesë dhe kandidatët për kryetarë të bashkive e për anëtarë të këshillave bashkiakë, për të cilët qytetarët me të drejtë vote janë të thirrur për ta dhënë verdiktin e tyre.

Që nga viti 2015, Shqipëria zhvillon zgjedhje në kushte krejtësisht të pabarabarta, shumica në pushtet përdor gjithë makinerinë shtetërore, të gjitha mjetet dhe rrugët e paligjshme për të shtrembëruar vullnetin e popullit në të vetmen ditë kur ai thirret për të ushtruar sovranitetin e tij, në të vetmen ditë kur ai ndihet dhe duhet të jetë sovran.

Por zgjedhjet e sivjetme, të 14 majit, zhvillohen në kushtet më të pabarabarta të këtyre viteve, kur pushteti ka në duart e veta gjithçka dhe kur faktori i jashtëm është më i rreshtuar se kurrë që edhe këto zgjedhje të jenë “më të mira se zgjedhjet e shkuara”, domethënë të jenë më të vjedhura, më të manipuluara, më të shitblera, më të frikësuara nga regjimi i këtyre 10 viteve, domethënë do të jenë më pak të pajtueshme e më pak të përputhshme me vullnetin e sovranit.

E shohim të domosdoshme që popullit në Shqipëri më 14 maj t’i kthehet sovraniteti, pra që ai të vendosë lirshëm, pa tundime, pa frikësime, në një proces sa më të drejtë dhe sa më transparent nga minuta e parë deri në atë të fundit.

blank

E shohim të domosdoshme që më 14 maj populli në Shqipëri të votojë për t’ia kthyer vetes pluralizmin, i cili në këtë vend nuk ekziston më. Kthimi i pluralizmit në Shqipëri është sot zgjidhja e vetme që vendi ynë të hedhë hapin e parë drejt demokracisë, drejt ndërtimit të institucioneve të vërteta të demokracisë dhe drejt shtetit ligjor: ku ekzekutivi, legjislativi, drejtësia të jenë pushtete të pavarura nga njëri-tjetri dhe kontrolluese nga njëri-tjetri; ku mediat të jenë të lira e të pavarura dhe t’iu bëjnë opozitë të gjitha padrejtësive të kujtdoqofshin ato.

Me kthimin e pluralizmit, pra, kthehen edhe shpresat që Shqipëria të ketë demokracinë e saj, të ketë ekonominë e saj, të ketë shpresat e saj për t’u bërë vend i jetueshëm për të gjithë dhe që të jetë përparues për të rinjtë e të rejat e saj, ku ata të përmbushin veten e tyre, ëndrrat dhe karrierat e tyre në mënyrë të krahasueshme me vendet e Evropës. Vetëm kështu Shqipëria do të jetë simbol frymëzues edhe për shqiptarët në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Luginën e Preshevës, në gjithë hapësirën kombëtare dhe në Diasporë.

Mbi 90 për qind e mediave në shqip, përfshirë këtu portalet, të gjithë të nënshtruar nëpërmjet financimeve dhe formave të tjera korruptuese inkriminuese, e mbështetin- edhe në këtë fushatë- tërësisht shumicën që është në pushtet këto 10 vite dhe e denigrojnë tërësisht opozitën.

VOAL, pra, larg çdo konflikit interesi, vetëm për hir të demokracisë, për hir Atdheut e të kombit, do të pasqyrojë me ndershmëri dhe profesionalizëm fushatën. Linja botuese e VOAL.CH kërkon një Shqipëri me shtet të së drejtës, por në këto kushte ku ndodhet Shqipëria, imperativ bëhet largimi një orë e më parë nga pushteti i Edvin Ramës dhe Erion Velisë, i cili është vetëm një gur shahu në duart e uzurpuesit të të gjitha pushteteve.

Megjithatë VOAL.CH nënvizon faktin se pa një sistem zgjedhur të reformuar, ku vota e Sovranit të shkojë tek kandidati më i mirë, Shqipëria është duke rrëshqitur drejt një monizmi mafioz, ku shans kanë vetëm enturazhet klienteliste.

Në Shqipëri mungon elita kombëtare, që ve në planin e parë interesin kombëtar dhe atë publik, po ashtu gazetaria e politizuar nuk e vendos kurrë klasën politike në bankën e llogaridhënies, pra situata s’ka qenë kurrë më keq se sot.

Duke mos e parë si zgjidhje abstenimin, e vetmja rrugë mbetet të mbështetet opozita, por assesi jo “opozita” e karikaturave politike të grupit Basha-Alibeaj që i ka pjellë një PD në buzë të greminës, baza e së cilës kërkon domosdoshmërisht rithemelim, çka nuk u realizua sipas premtimeve të Foltoreve.

blank

 

 

 

 

 

 

blank

Samiti i organizuar nga presidenti Biden, Osmani flet krahas Macron, Sunak dhe Scholz

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, do ta përfaqësojë Kosovën në Samitin e Dytë për Demokraci, të organizuar sot virtualisht nga Shtëpia e Bardhë.

“Në një seancë plenare, e cila do të zhvillohet në orën 15:00, Presidentja Osmani do të jetë folëse krahas liderëve botërorë: presidenti të Francës, Emmanuel Macron, kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, Rishi Sunak, kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz, kryeministrit të Suedisë, Ulf Kristersson, kryeministres së Islandës, Katrín Jakobsdóttir, presidenti të Kolumbisë, Gustavo Petro, si dhe krerëve të  shtetesh e qeverive nga Zambia dhe Bahamas”,thuhet në njoftimin për media.

Gjithashtu, u theksua se Samiti për Demokraci do të hapet nga presidenti Joe Biden në orën 12:00 dhe do të bashkojë vendet anekënd globit në përpjekjet e tyre për të konsoliduar vlerat demokratike dhe për t’i promovuar e fuqizuar tutje ato.

“Republika e Kosovës, përgjatë vitit që shkoi, ka arritur suksese të rëndësishme në të tri zotimet të cilat kishin për qëllim fuqizimin e sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit, luftimin e autoritarizmit, avancimin e të drejtave të njeriut, diversitetin dhe gjithëpërfshirjen me fokus në avancimin e të drejtave të grave dhe barazisë gjinore”.

Për shkak të këtij suksesi, nga më shumë se 100 shtete pjesëmarrëse, Presidenca e Republikës së Kosovës, si institucion udhëheqës në Kosovë përgjatë “Vitit të Veprimit”, në kuadër të Samitit për Demokraci, është përzgjedhur nga Shtëpia e Bardhë që të bashkudhëheqë me grupin tematik për sundim të ligjit.syri.net

blank

Thirrja e fortë nga protesta para SPAK: Burg pushtetarëve që na vodhën dhe shpërdoruan pasuritë!

Shoqëria civile ka bërë sot një protestë përpara SPAK, duke kërkuar drejtësi për korrupsionin që është bërë ndaj vendit.

Gjatë fjalës së tij Dashamir Uruçi, tha se i kanë drejtuar një letër të hapur SPAK, duke kërkuar që pushtetarët dhe politikanët që kanë vjedhur pasuritë e Shqipërisë të shkojnë përpara drejtësisë.

“Letër e hapur drejtuar SPAK, për dijeni qeverisë shqiptare, parlamenti shqiptar, trupit diplomatik, sot na ka mbledhur një shqetësim. Për herë të parë po sjellim disa prej krimeve më të rënda që janë bërë në Shqipëri në këto 32 vite demokraci. Janë këto krime që kanë mbetur të pandëshkuara dhe implikojnë figura më të larta të politikës shqiptare. Duhet të hetohen në mënyrë të imët dhe të çohen para drejtësisë. Askush nuk i ka harruar miliardat e zhdukura në rrugën e kombit, vjedhjen në BSH, floririn e Krrabës. Është vjedhur në këtë vend, ditën për diell. Në këtë korrupsion janë implikuar drejtues shumë të lartë të këtij vendi dhe nuk janë prekur. Në ndihmën e drejtësisë shqiptare këta politikanë të korruptuar kanë jetuar në mënyrë të qetë. Përveç korrupsionit, politika shqiptare kanë vënë dorë edhe në çështjen kombëtare. Në këtë vend u mbushën thasët me eshtrat shqiptare dhe u bëhen buste tradhtarëve”, tha ndër të tjera Dashamir Uruçi, duke shtuar: “Në këtë vend vazhdon helenizimi i Shqipërisë. Në disa zona të jugut dëgjohet më shumë greqishtja. Serbia ledhatohet me Ballkanin e Hapur. Shqiptarët vazhdojnë të trajtohen pa të drejta themelore, ndonëse ata zënë 47% të banorëve të Kosovës. I nderuar Altin Dumani jemi këtu para godinës suaj për të kërkuar drejtësi. Veproni me vullnet dhe drejtësi deri sa t’i dërgoni në burg ata drejtues që vodhën dhe shpërdoruar pasuritë e shqiptarëve. Me votën e militantëve të partive, nuk largohet e keqja. Mbi fajtorët duhet të bjerë çekani juaj. Qytetarët shqiptarë kërkojnë kokat e krimit dhe jo peshqit e vegjël”.bw

blank

Presidenti Zelenskyy e sheh të domosdoshme fitoren në Bakhmut

VOA

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, theksoi rëndësinë e luftës për qytetin lindor të Bakhmutit, duke i thënë agjencisë së lajmeve Associated Press të martën se një disfatë e Ukrainës atje, do të sillte trysni nga komuniteti ndërkombëtar dhe disa në Ukrainë, për të bërë kompromise me Rusinë.

Presidenti Zelenskyy tha se nuk do të angazhohet në bisedimet e paqes me Rusinë derisa forcat ruse të tërhiqen nga i gjithë territori i Ukrainës. Që nga fillimi i agresionit të saj në shkallë të gjerë vitin e kaluar, Rusia ka pretenduar të aneksojë katër zona në Ukrainë, një veprim i dënuar me shumicë dërrmuese si i paligjshëm nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së.

Aleatët perëndimorë e kanë ulur rëndësinë e Bakhmutit, duke thënë se një humbje e Ukrainës atje nuk do të kishte ndikime të mëdha në konfliktin e përgjithshëm.

Por, presidenti Zelenskyy i tha agjencisë Associated Press se çdo pjesë e luftës është e rëndësishme.

“Ne nuk mund t’i humbim hapat sepse lufta është – copa fitoresh. Fitore të vogla, hapa të vegjël”, tha ai.

Presidenti Zelenskyy foli për Associated Press ndërsa udhëtonte me një tren në disa pjesë përgjatë vijës së frontit, përfshirë rajonin Sumy në verilindje të Ukrainës.

“Rajoni është pranë armikut. Kërcënimi është i vazhdueshëm. Bombardimet e kufirit tonë janë të vazhdueshme. Por jeta, njerëzit tanë janë padyshim më të fortë se çdo frikë”, tha presidenti Zelenskyy në fjalimin e tij të rregullt gjatë natës.

Ai gjithashtu udhëtoi në një vend të panjohur pranë kufirit rus dhe foli me rojet kufitare.

“Kam pasur një bisedë të veçantë edhe me shefin e Shërbimit të Rojës Kufitare. Ne folëm për mbrojtjen e Sumyt dhe rajoneve të tjera, për forcimin e rojeve kufitare, të cilët së bashku me të gjitha forcat e mbrojtjes po luftojnë në vijën e frontit”, tha presidenti Zelenskyy.

Një marrëveshje për të siguruar centralin më të madh bërthamor të Evropës në Ukrainë mund të jetë “afër”, edhe pse hollësitë përfundimtare ende do të diskutohen nga zyrtarët rusë dhe ukrainas, tha të martën Rafael Mariano Grossi, shefi i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore.

Zoti Grossi u tha gazetarëve se “me gjasë” do të shkojë në Rusi në ditët në vijim për të provuar të përmbyllë një marrëveshje për të mbrojtur centralin bërthamor në Zaporizhia. Luftimet e ashpra për muaj të tërë pranë objektit kanë shqetësuar zyrtarët ndërkombëtarë për një katastrofë bërthamore, me mundësinë që rrezatimi të përhapet përtej zonës së luftës.

Shefi i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore, ka kërkuar prej kohësh që të krijohet një zonë mbrojtëse rreth centralit që ndodhet shumë pranë vijës së parë të luftës. Por asnjë marrëveshje nuk është arritur.

Disa pjesw tw këtij artikulli u morën nga agjencitë e lajmeve Associated Press, France-Presse dhe Reuters.

blank

Kurti: Nuk jam për t’i shtypur serbët, por nuk mund të kemi superminoritet në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur lidhur me procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e vendit, duke u shprehur i pakënaqur për pamundësinë e lëvizjes së lirë të kosovarëve në zonën shengen.

Në një intervistë në Top Channel, Kurti ka thënë se ky proces do të marrë fund më 1 janar të vitit 2024 pasi Kosova është vendi i fundit në Evropë që vazhdon të ketë regjim vizash për qytetarët, e që sipas tij, kjo po bëhet padrejtësisht.

“Nëse ka diçka që nuk jemi të kënaqur me çfarë kemi bërë deri tani, është fakti që edhe më tej Kosova vazhdon të mos ketë liberalizim të vizave, por prapë lajm i mirë është që nga 1 janari i vitit të ardhshëm ky nuk do të jetë më rasti. Më në fund pra gati mbi 5 vite pasi që Komisioni Evropian për herë të parë tha që “Kosova i ka plotësuar 95 kritere të nevojshme, duhet t’i hiqen vizat”, nga 1 janari i vitit të ardhshëm kjo do të bëhet edhe për Republikën e Kosovës, si vendi i fundit në Evropë, ku vazhdon të ketë ende viza për qytetarët, gjithsesi padrejtësisht”, ka thënë ai.

Shefi i Qeverisë ka folur gjithashtu edhe për nenin 7 të propozimit evropian, ku tha se në të flitet për vetmenaxhim të komunitetit serb për një nivel adekuat vetmenaxhimi.

Kurti tha se mes Kosovës dhe Serbisë ka vetëm njohje “de facto” e jo vetadministrim e as vetqeverisje.

“Askund. Nuk ka kurrfarë autonomie për serbët lokal në Kosovë. Ata janë qytetarë të Republikës sonë dhe unë jam kryeministër edhe i atyre. Në nenin 7 flitet për vetmenaxhim të komunitetit serb për një nivel adekuat vetmenaxhimi. Kjo do të thotë që kemi referencë veçse te marrëveshja kornizë e Këshillit të Evropës për mbrojtjen e pakicave kombëtare. Nuk ka vetadministrim, nuk ka vetqeverisje, ka veçse njohje de facto ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha Kryeministri Kurti.

Por kryeministri i vendit gjithashtu u shpreh se në Kosovë nuk mund të ketë njerëz të privilegjuar në bazë të përkatësisë etnike, pasi siç theksoi ai ‘privilegji për dikë, mund të jetë diskriminim për dikë tjetër”.

“Unë nuk jam për t’i diskriminuar, shtypur, shfrytëzuar apo marxhinalizuar serbët. Ne shqiptarët kemi qenë një shekull nën sundimin serb, nuk do të përsërisim asgjë të ngjashme dhe as nuk do të na shkoj mendja asnjëherë, mirëpo gjithashtu nuk mund të kemi super minoritet në Kosovë. Nuk mund të kemi njerëz të privilegjuar në bazë të përkatësisë etnike apo religjioze sepse privilegji për dikë, bëhet diskriminim për dikë tjetër. Andaj unë ju garantoj që nuk do të ketë kurrfarë solucionesh jo transparente e që e minojnë Kushtetuetshmërinë tonë dhe rendin republikan e demokratik”, tha Kurti.bw

blank

Presidenti Zelenskiy viziton qytetet e çliruara në veri të Ukrainës

VOA

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy vizitoi të martën dy qytete në veri të vendit për të shënuar përvjetorin e rimarrjes së tyre nën kontroll nga Kievi. Ai tha se çlirimi i tyre u sigurua falë betejave, që treguan se Ukraina, do të arrijë t’i mposhtë pushtuesit rusë.

Pamjet filmike të postuara në internet nga zyra e zotit Zelenskiy, tregonin atë duke vizituar qytetet Okhtyrka dhe Trostyanets në Sumy, rajoni i gjashtë që ai ka vizituar në javët e fundit, disa prej të cilëve pranë vijës së frontit. Vizitat vijnë ndërsa janë rritur pritshmëritë për një kundër-ofensive nga Ukraina ndaj Rusisë.

Forcat ruse u futën në rajonin Sumy, në kufi me Rusinë, në fillim të sulmit ndaj Ukrainës. Por falë një rezistencë të ashpër ato u dëbuan nga rajoni pas rreth një muaj pushtimi të tij.

Videoja e postuar në internet tregonin ndërtesa të dëmtuara rëndë. Zyrtarët ukrainas thonë se territoret afër kufirit vazhdojnë të bombardohen rregullisht nga artileria dhe sulmet ajrore ruse.

Ofensiva ruse është bllokuar për muaj të tërë mes luftimesh të ashpra përgjatë frontit lindor. Komandanti i forcave tokësore të Ukrainës tha javën e kaluar se një kundërsulm ukrainas mund të nisë “shumë shpejt”.

blank

Kosovë, 24 vjet nga masakra e Izbicës

VOA/Edlira Bllaca

Në muajin mars të vitit 1999, ndërsa NATO-ja po vazhdonte fushatën ajrore kundër forcave serbe, në terren ato forca po kryenin sulme hakmarrëse kundër popullatës shqiptare.

Kjo periudhë e vitit, në Kosovë është e mbushur me ngjarje përkujtimore të masakrave në të cilat u vranë mijëra njerëz, për fatin e një pjese të të cilëve nuk dihet asgjë që nga përfundimi i luftës.

Ndër masakrat më të rënda sipas veprimtarëve humanitarë është ajo e fshatit Izbicë – rreth 80 kilometra larg kryeqytetit. Në këtë fshat, me 28 mars të vitit 1999 u vranë mbi 140 shqiptarë, gjashtë prej të cilëve ende janë pjesë e listës së personave të zhdukur gjatë luftës.

“Edhe Izbica është një ndër dëshmitë e shumta që shteti serb ka kryer gjenocid dhe qëllimin e kishte të shfaroste popullin shqiptar. Prandaj edhe sot këtu e ndajmë dhimbjen me të gjitha familjet që kanë humbur më të dashurit e tyre, sepse dhimbja e tyre është dhimbje e Kosovës”, tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani të martën.

“Jemi këtu sot që të nderojmë dhe përkujtojmë të vrarët nga regjimi fashist e gjenocidal i Millosheviqit në Izbicë. Për drejtësinë, për viktimat dhe familjet që janë gjithashtu viktimë si i gjithë populli do të angazhohemi përjetë, vazhdimisht”, tha kryeministri, Albin Kurti.

Beqir Shala, banor i kësaj zone rrëfen për Zërin e Amerikës se mëngjesin e 28 marsit të vitit 1999 forcat serbe kishin grumbulluar kryesisht burra e djem në këtë pjesë të fshatit. Ai thotë t’i ketë dëgjuar të shtënat e armëve nga një kodër në afërsi ku po fshihej bashkë me dy persona të tjerë.

“Pasdite rreth orës njëmbëdhjetë apo dymbëdhjetë, nuk e di saktësisht orën, por sipas krismave rafalle që kanë qenë, janë pushkatuar në pesë grupe. Tri grupe janë pushkatuar në këtë pjesën këndej, dy në atë pjesën andej kodrës”, thotë ai.

Të nesërmen, Beqiri ishte në mesin e disa dhjetëra fshatarëve që ndihmuan për t’i varrosur kufomat.

“Diku deri në 50 veta kemi qenë që është dashur t’i bartim e të ua bëjmë varrimin. I kemi varrosur ashtu siç kanë qenë, me batanije që kemi pasur i kemi mbështjellë i kemi varrosur”, rrëfen ai.

Forcat serbe pas pak ditësh kishin zhvarrosur kufomat dhe i kishin shpërndarë në varreza masive në Kosovë e Serbi, në përpjekje për të fshehur gjurmët e mizorive të tyre. Edhe sot e kësaj dite disa varreza në Izbicë janë të zbrazta sepse nuk janë gjetur trupat e të gjithë të vrarëve.

Beqiri thotë se trupin e xhaxhait e kishin gjetur pas tri vitesh në një varrezë masive në zonën e Vushtrrisë, mbi 20 kilometra larg Prishtinës. Ai thotë se është me rëndësi të ndriçohet fati i të gjithë të zhdukurve gjatë luftës.

“Të paktën kur e din ku është, ku po flenë eshtrat e tij, je më rehat je më i qetë. Kështu që është brenga më e madhe e krejt atyre njerëzve që sot e kësaj ditë pas 24 vitesh nuk dinë për të afërmit e vet”, thotë ai.

Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, tha në një bisedë me Zërin e Amerikës se personat e zhdukur janë trashëgimia më e dhimbshme e luftës.

Në marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që u arrit në Ohër me 18 mars, palët u pajtuan të miratojnë Deklaratën për Personat e Zhdukur, siç është negociuar në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, si çështje urgjente.

Por zoti Blakaj, thotë se nëse bëhet fjalë vetëm për deklaratë, nuk ka shpresë se mund të ndikojë në përshpejtimin e këtij procesi.

“Nëse bëhet fjalë vetëm për deklaratë, atëherë kam frikë që është vetëm një dështim i radhës, mirëpo nëse ekziston një plan i veprimit prapa këtij dakordimi i cili në mënyrë të saktë përshkruan veprimet që do t’i ndërmarrin palët për zbardhjen e fatit të të zhdukurve, mund të shresojmë”, thotë ai.

Sa i takon vënies së drejtësisë në vend lidhur me krimet e luftës, zoti Blakaj thotë se deri tash 71 persona janë dënuar gjithsej me aktgjykim të plotfuqishëm, ndërsa thekson mungesën e dënimeve ndaj zyrtarëve të lartë të përfshirë në këto krime.

“Presidenti i atëhershëm i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviç ka vdekur para se t’i jepej verdikti, ndërsa gjashtë zyrtarë të lartë serbë janë dënuar para Tribunalit të Hagës. Dhe kjo është e tëra sepse në gjykimet tjera që kanë ndodhur edhe në Serbi edhe në Kosovë, nuk ka pasur zyrtarë të lartë e as të mesëm të forcave serbe që janë dënuar”, thotë zoti Blakaj.

Kosova doli nga lufta me mbi 10 mijë të vrarë e mijëra të zhdukur, ndërsa edhe 24 vjet më pas nuk dihet asgjë për fatin e mbi 1 mijë e 600 personave.

blank

VOA- Gjyqësori në Shqipëri: si pasojë e ‘vetingut’, mungojnë 44 % e gjyqtarëve, 38% e prokurorëve dhe stoku i dosjeve është i lartë

Mimoza Picari

Në Shqipëri harta e re gjyqësore, që ka filluar të zbatohet që prej 1 shkurtit të këtij viti, ul ndjeshëm numrin e gjykatave në vend. Thuajse gjysma e tyre mbyllen dhe qytetarë e njohës të fushës juridike ngrenë shqetësime se ky riorganizim po shkakton rritje të kostove dhe vonesa në marrjen e drejtësisë. Harta e re po aplikohet në një kohë, kur në sistem mungojnë 44 % e trupës së gjyqtarëve dhe 38% të prokurorëve, si pasojë e ‘vetingut’ dhe stoku i dosjeve është i lartë. Mbështetësit e saj mendojnë se ajo pritet të sjellë shpërndarje të barabartë të drejtësisë dhe balancim të numrit të gjyqtarëve me çështjet në shqyrtim.

Në Shqipëri reforma në drejtësi e miratuar rreth 7 vite me parë ka shkaktuar në vijimësi debate, gjatë proçesit të zbatimit. Rivlerësimi i trupës gjyqësore dhe asaj të prokurorisë, ose sic quhet ndryshe vetingu ka sjellë largimin e një mase të gjerë gjyqtarësh dhe prokurorësh.

Sot në sistem mungojnë përkatësisht 44 dhe 38% e tyre, dhe situata krahasuar me dy vite më parë është përkeqësuar. Së fundi nisi dhe zbatimi i hartës së re gjyqësore, që mbyll 18 nga 38 gjykata, thuaj gjysmën e tyre. Në gjithë vendin mbeten 13 gjykata të shkallës së parë nga 22 që ishin, një gjykatë apeli nga 6 të tilla, dhe dy gjykata administrative të shkallës së parë nga 6.

Që prej 1 shkurtit të këtij viti, Gjykata e Apelit në Tiranë është e vetmja e këtij lloji në vend. Avokatë dhe qytetarë të ndryshëm nga skaje të largëta të vendit, shprehin shqetësim kur thonë se tani e kanë më të vështirë për të marrë drejtësi.

Kostot janë rritur ndjeshëm shprehet për Zërin e Amerikës Suela Koxhioni, avokate nga qyteti i Vlorës ku Gjykata e Apelit është mbyllur.

“Shërbimet tona, ne tarifojmë në bazë të tarifave të vendosura nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë, të cilat bazohen në ekzistencën e gjykatave të Apelit, të cilat ishin 6 dhe tani është vetëm një, dhe rrjedhimisht dhe distancës fizike. Tani lind nevoja për ndryshim të këtyre tarifave sepse unë nuk mund t’i marr klientit tim të njëjtën pagesë kur unë e përfaqësoja në Vlorë ndërkohë që unë vij në Tiranë. Kostoja shkon 10 mijë lekë të reja për ne që vijmë nga Vlora, nga 500 që ishte në Vlorë, po një tjetër që është më larg, se imagjinoj dot”- tha për Zërin e Amerikës, Suela Koxhioni, avokate nga qyteti i Vlorës.

“ Unë jam avokate nga Kukësi dhe kisha si juridiksion Gjykatën e Apelit në Shkodër. Aty çështjet gjykoheshin në kohë të shpejtë, këtu kjo nuk ndodh. Sapo dola nga zyra e informacionit, u interesova për 3 – 4 çështje që ndjek. Nuk kërkova informacion për më shumë sepse, kur nuk mora informacion për këto, i lashtë të tjerat. Nëse në Shkodër kishte çështje të vitit 2022, këtu në Gjykatën e Apelit në Tiranë, ka dosje të vitit 2019 pa u shqyrtuar. Është drejtësi e mohuar mendoj unë”- u shpreh për Zërin e Amerikës Aurora Guska, avokate nga qyteti i Kukësit.

“Si çdo fillim edhe ky është i vështirë”- thotë për Zërin e Amerikës anëtarja e Gjykatës së Apelit Edlira Petri. Ajo sqaron se për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve me qëllim që të shmangin udhëtimet e panevojshme drejt Tiranës, në gjykatat që mbyllen ka zyra të posaçme shërbimi, që funksionojnë për të marrë informacione, depozituar kërkesa, tërhequr vendime, apo për të marrë dokumenta nga arkivat.

“Ndonjëherë besoj se argumentat për shtimin e kostove nuk janë reale, nuk marrin peshë përballë nevojës për të patur një gjykatë të vetme Apeli, e cila shumë shpejt do shkojë drejt unifikimit të praktikave dhe ndoshta këto janë gjëra më të rëndësishme që prevalojnë. Megjithatë ne do ta shohim, i mbetet të ardhmes. Një nga kritret qe mat besimin e qytetarëve është dhe shpërndarja e barabartë e drejtësisë. Nëse në Gjirokastër një qytetar gjykohet brenda një afati disa mujor dhe në Tiranë në Gjykatën e Apelit duhen disa vite, kjo nuk është e drejtë. Ky është një ndër kriteret, pra shpërndarja e barabartë e drejtësisë, në gjithë territorin e vendit, që i shtyu dhe hartuesit e hartës së re gjyqësore për të zgjedhur këtë model”- u shpreh për Zërin e Amerikës, Edlira Petri, gjyqtare në Gjykatën e Apelit, të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë.

Optimistët e hartës së re gjyqësore mendojnë se ajo sjell balancimin e numrit të gjyqtarëve me çështjet në gjykim, por në Gjykatën e Apelit në Tiranë, kjo balancë nuk është rregulluar, të paktën për momentin. Aktualisht kjo gjykatë ka 24 nga 78 gjyqtarë që duhet të ketë, dhe ngarkesa e punës është e lartë. Rreth 32 mijë dosje presin të shqyrtohen, 11 mijë prej të cilave janë transferuar nga gjykatat që u mbyllen. Kjo pritet të sjellë vonesa në gjykimin e çështjeve, ndërsa plotësimi i trupës gjyqësore nuk ka një datë apo kohë, pasi sistemi ka shumë vende bosh dhe shkolla e magjistraturës do të duhet disa vite t’i plotësojë ato.

“Me një llogaritje të thjeshtë nëse do të ishin 78 gjyqtarë me një mesatare prej 200 çështjesh që do të bënte çdo gjyqtar në vit, në fund të vitit do të kishim mbi 15 mijë çështje dhe në krahasuar me stokun që kemi sot 32 mijë dosje, llogaritja është e thjeshtë, situata nuk do të ishte kaq e vështirë sa është aktualisht”- vijoi Edlira Petri, gjyqatre në Gjykatën së Apelit, të Juridiksionit të Përgjithshëm të Tiranë..

Komiteti Shqiptar i Helsinkit që e ka kundërshtuar hartën e re gjyqësore mendon se KLGJ duhet të shohë me prioritet plotësmin e vendeve bosh. Një tjetër shqetësim lidhet me fatin e nëpunësve në gjykatat që mbyllen. KLGJ i tha Zërit të Amerikës se numri i tyre mbetet i njëjtë dhe se ata që u prekën nga mbyllja e gjykatave të apelit janë sistemuar, por Erida Skëndaj drejtore ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit thotë se proçesi nuk është transparent.+

“ Nuk ka transparencë, për emrat e punonjësve, çfarë pozicioni kanë patur, dhe në çfarë vendi kanë kaluar, një proçes i cili duhet të ishte transparent, sepse po flasim për një riorganizim gjyqësor me një interes të lartë publik dhe emrat e këtyre punonjësve nuk ka pse të jenë sekret, apo informacione koefidenciale për publikun. Duhet të jetë prioritet, pasi reflektohet në përditshmërinë e punës së këtyre njerëzve që do të përballen me një numër të lartë çështjesh dhe ndikon në efiçensën e punës së tyre”- u shpreh për Zërin e Amerikës Erida Skëndaj, Drejtore ekezekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit.

Shqetësim për ekspertët përbën dhe infrastruktura e pamjaftueshme e Gjykatës së Apelit në Tiranë, pasi në të do të ushtrojnë detyrën edhe gjyqtarët e Gjykatave të Apelit që u mbyllën si dhe një pjesë punonjësve të tyre. Po ashtu në këtë godinë kanë mbërritur mbi 10 mijë dosje nga këto gjykata dhe vështirësitë e para kanë filluar të ndjehen.

“Nuk ka asnjë kuptim të ketë vetëm një Gjykatë Apeli në gjithë vendin, edhe për arsye hapësire dhe vendi. Sot në Gjykatën e Apelit dosjet janë nëpër koridore, ngarkesa është aq e madhe sa duhen vite për të marrë drejtësi”- tha për Zërin e Amerikës Dylejman Karaj, avokat nga Tirana.

Për të përballuar fluksin e dosjeve që presin gjykim disa ambjente bodrumi në godinën e Gjykatës së apelit në Tiranë janë përshtatur si arkiv. Janë vetëm 7 salla gjykimi, dhe nëse trupa gjyqësore plotësohet me 78 gjyqtarë, nga 24 që janë aktualisht, gjërat ndërlikohen, pasi ambjentet janë të pamjaftueshme.

KLGJ i tha Zërit të Amerikës se në një plan afatgjatë është menduar ndërtimi i një godine të re, ndërsa janë akorduar disa fonde për rikonstruksionin e ambjenteve të godinës së gjykatës së Apelit në Tiranë.

Një tjetër shqetësim, sipas grupimeve që mbrojnë të drejtat e njeriut, lidhet me transferimin e të paraburgosurve nga i gjithë vendi, në institucionet e paraburgimit në kryeqytet, me qëllim për të marrë pjesë në seancat e masave të sigurisë. Ato sipas tyre janë të mbipopulluara dhe situata pritet të rëndohet më tej. Autoritetet e Ministrisë së Drejtësisë thanë për Zërin e Amerikës se Drejtoria e Përgjithshme të Burgjeve ka marrë masat me qëllim lehtësimimin e proçesve gjyqësore, duke rritur aksesin e avokatit mbrojtës me të paraburgosurit si dhe numrin e mjeteve të transportit të tyre nga qytete të ndryshme të vendit drejt Tiranës.

Prej 1 majit edhe gjykatat e shkallës së parë riorganizohen dhe nga 22 mbeten 13. Megjithëse KLGJ dhe autoritetet zyrtare e kanë argumentuar hartën e re gjyqësore me nevojën për një drejtësi të barabartë për qytetarët si dhe me faktin se gjykatat që mbyllen nuk justifkonin numrin e nevojshëm të çështjeve për gjyqtar, ekspertët mendojnë se ky shkurtim drastik i gjykatave erdhi edhe si pasojë vendeve bosh të krijuara në sistem nga proçesi i vettingut. Plotësimi i vendeve vakante përmes prurjeve nga shkolla e magjistraturës pritet ta zbusë gradualisht volumin e punës në gjykata, por ende ky proçes vijon të mbetet kompleks pasi nuk mund të parashikohen largimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve në vazhdim, për shkak të rivlerësimit. Stoku i dosjeve është i lartë. Koha e dhënies së drejtësisë është rritur ndjeshëm në të gjitha shkallët e gjyqësorit në vend, dhe qytetarët po përballen me një drejtësi të vonuar.

“Personalisht kam dosje pensioni të vitit 2016-ës, ka ndodhur që ka ndërruar jetë paditësi dhe ende nuk i ka dalë data”- u shpreh Suela Koxhioni, avokate nga qyteti i Vlorës.

“Kam fituar disa çështje për vjetërsi pune për pensionistët. Tani këto çështje janë në Gjykatën e Apelit. Këtu shkon 5-6 vjet shqyrtimi. A do mundet ai njeri ta gëzojë pensionin e tij? Kjo për mua është shumë shqetësuese”- vijoi Aurora Guska, avokate nga qyteti i Vlorës.

blank

Mustafi: Serbia duhet të respektojë të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, pastaj të kërkojë asociacionin

I ftuar në edicionin e pasdites në Syri Tv me moderatoren Armela Ferkon ishte Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë të Preshevës, Ragmi Mustafi.

Mustafi është shprehur se ambasadori amerikan, Hill është duke zhvilluar një tur takimesh me drejtuesit politikë shqiptarë në Luginën e Preshevës. Ndër të tjera Mustafi ka kërkuar që nëse Serbia kërkon që të respektohen të drejtat e komunitetit serb në Kosovë duhet që të ndodhë e kundërta edhe në Serbi me të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

“Ambasadori Hill është duke takuar liderët e Luginës së Preshevës dhe për tu sqaruar rreth zhvillimeve të fundit që janë të rëndësishme. Kjo është vizita e tij e parë e ambasadorit të akredituar në Beograd, zoti Hill duhet mirëkuptuar në kuptimin e detyrës që i është ngarkuar për të shkëputur Serbinë nga ndikimi rus.

Ambasadori ka treguar atë që ka ndodhur në Ohër, duke thënë se marrëveshja edhe pse e pa nënshkruar i referohen dy vendeve përkatëse dhe Lugina e Preshevës nuk ndodhet pjesë e asaj marrëveshje.

Që pas vitit 2001 që është nënshkruar marrëveshja për demilitarizimin e Luginës janë bërë tre marrëveshje, shqiptarët kanë treguar vullnet në proçesin e integrimit, ndërprerjes së diskriminimit në mënyrë që të krijojë një hapësirë të lirisë, barazisë dhe drejtësisë në kuadër të sistemeve aktuale që kanë qenë garancionet e bashkësisë ndërkombëtare dhe kjo nuk është arritur.

 Ne e shohim të domsdoshme që të marrë siguresën e dialogut mes Serbisë dhe Kosovës sepse e konsiderojmë se Lugina është pjesë e këtij konteksti sepse Serbia kërkon të drejta për komunitetin në Kosovë ndërsa në anën tjetër të diskriminojë dhe mohojë të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Në këtë kuptim ne konsiderojmë që kjo marrëveshje do të duhej të sigurojë që përmes normalizimit të marrëdhënieve të paqes mes Serbisë dhe Kosovës është e pamundur nëse nuk respekton të drejtat e komuniteteve njëlloj si në Kosovë për serbët dhe Serbi për Luginën e Preshevës.”


Send this to a friend