VOAL

Please Wait ...
0%

Doris Leuthard, presidentja e Zvicrës për drogën në Shqipëri, reformën, dialogun dhe shkollat shqip Nga Elida Buçpapaj

By | September 7, 2017
1 Comments

Komentet

Në Gjenevë vjen Natyra e Virgjër Shqiptare në penelin e piktorit Helidon Haliti – Nga Aina Hoti

Artet figurative shqiptare, mes iniciativës të disa shpirtërave “të shqetësuar” do të bëjnë një udhëtim në Zvicër dhe do të ndalen në Gjenevën e mrekullueshme, për ta prekur atë mes “Natyrës së Virgjër” të Shqipërisë dhe artit mjeshtëror, kontemporan, por edhe romantik, të të prikuarit me talent, piktorit shqiptar Helidon Haliti.
Iniciativa e ndërmarrë nga SAE (Swiss-Albania-Event), një “organizëm” i vogël eventesh që unë kam themeluar dhe drejtoj, dhe që operon në Zvicër, me qellimin promovimin e kultures – tradites Shqiptare,  ju fton dhe ofron, për disa muaj, të shijoni penelat e hedhur në telajo nga i shumëdashuri dhe i shumëvlerësuari, brenda dhe jashtë Shqipërisë, mjeshtri i pikturës dhe miku ynë Helidon Haliti.
Kontakti optik me pikturat e tij, do u përcjellë emocion. Pikturat e Helidonit peisazhe mes reales dhe imagjinares, mes ngjyrave dhe dritë-hijeve do ju gozhdojnë, si për t’ju kujtuaj edhe një here se, artet figurative statike në dukje, janë qënie të gjalla, që heshtur të flasin dhe mes ngjyrash të shoqërojnë pa të mërzitur.
Helidoni mes kësaj ekspozite që do të qëndrojë në ambjentet e “La Cité des Vents ” Adresa: Rue Coupe Gordon-Bennett 3 – Le Lignon / Vernier, Switzerland, nga data 25 Shtator deri më 20 Dhjetor  2017, do të të sjellë tek shqiptarët, shqiptarët e Kosovës dhe i gjithë publiku artdashës zvicerian natyrën e bukur, herë-herë të magjishme deri në mrekulli të Shqipërisë sonë, që i detyrohemi për ta shëtitur dhe prezantuar kudo në botë, si një thesar të çmuar dhe si pjesë e së gjithës fizike, ekzistenciale.
Piktori ka aftësinë dhe mjeshtërinë të na e shfaqë Natyrën e Virgjër shqiptare me mjeshtëri të admirueshme, mes një forme që pak nga ne munden. Mes telajove do të gjeni piktorin herë të shkrirë tërësisht brenda tyre dhe herë kapriçioz për t’u imponuar mes fantazisë së tij, por jo me antagonizëm, por mes mjeshtërisë së arti, ku spikat detaji, si për të lexuar shpirtin dhe më pas për të përftuar të gjithën.
Do të doja të shkruaja pafund për artin dhe pikturën e Helidonit, por ajo që kërkoj sot prej të gjithëve ne, është që të jemi të gjithë së bashku në këto ditë, pranë dhe mes pikturave të Helidonit, mes një copëze Shqipërie të mbartur mjeshtërisht mes artit të penelit dhe ekspresionit të ngjyrave dhe skimës së dritë-hijeve të Helidon Halilit.
Do të qëndrojmë përpara pikturave dhe do të vëmë në lëvizje imagjinatën, si në përrallë do të udhëtojmë mes Natyrës, me sy do të shohim shpirtin e fshehur të piktorit, por dhe do të ngjallim kujtime nga vendi që na lindi.
Ashtu si dhe muzika, e cila vë në lëvizje shpirtin mes ndjesive të tingujve, ashtu edhe tonet harmonike të ngjyrave dhe dritë-hijeve ngjasojnë me tinguj, që shpirti i përfton mes syrit, si një kompozim “pentagrami ngjyrash”.
Në fund do të doja ta mbyll këtë ftesë për ju të gjithë, me disa fjalë nga piktori i mirënjohur francez Paul Gauguin:
“Që dikush të gjykojë mbi një libër, i duhet të ketë inteligjencën dhe formimin e duhur teorik. Për të gjykuar një pikturë, përveç inteligjencës dhe formimit teorik, duhet të ketë ndjesi të veçanta përkundrejt natyrës.”
Ju mirëpresim për të ndarë nën aromën e Gjenevës, pak nga Natyra e Virgjër Shqiptare.

Zvicër: Ndeshen trenat, 30 të lënduar

Rreth 30 persona janë lënduar pasi dy trena u ndeshen në një stacion në Zvicrën qendrore.

Aksidenti ndodhi në Andermatt, një qytet malor në kantonin Uri.

Diku 100 udhëtarë ndodheshin në trena, raportojnë mediat lokale.

Policia nuk ka komentuar rreth shkallës së lëndimeve të udhëtarëve, por ka shtuar se ekipet mjekësore ndodhen në vend të ngjarjes.

Mediat zvicerane: Kosova mbetet në duart e “Komandantëve”, qeveria mund të rrëzohet nga Beogradi

“Qeveria e ardhshme mund të rrëzohet nga Beogradi në rast nevoje. Një koalicion i jashtëzakonshëm mes ish-ushtarëve të UÇK, një miliarder shqiptaro-zviceran dhe një parti minoritare serbe duhet të nxjerrë jashtë krize shtetin e Kosovës”, shkruan fillimisht prestigjiozja zvicerane “NZZ” me autor Andreas Ernst.

Pas tre muajsh përpjekje Kosova ka një shumicë qeveritare, por bashkëpunimi duket aventurier: një koalicion mes ish-ushtarëve të UÇK nën udhëheqjen e Ramush Haradinaj i lidhur me miliarderin shqiptaro-zviceran Behgjet Pacolli dhe partinë minoritare serbe të kontrolluar nga Beogradi. Qeveria u krijua pasi atë e mbështeti Behgjet Pacolli dhe pas dhënies dritë jeshile listës serbe për të marrë pjesë në qeveri. Kryeparlamentari u zgjodh të enjten, por kryeministri nuk do e ketë të lehtë lojën. Në parlamentin me 120 vende ai kontrollon vetëm 63 deputetë, përcjell botasot.info.

Sipas autorit Andreas Ernst, partia më e fuqishme nga radhët e ish-UÇK-së, PDK, në 18 vitet e fundit (që nga përfundimi i luftës) ka mbuluar Kosovën me një rrjet paralizues të varësive. Ky rrjet tani po zgjerohet. Fitues janë ata që falë lojalitetit nxjerrin ndonjë dobi të vogël apo të madhe, humbës të gjithë të tjerët që duhet të jetojnë në një sistem, i cili nuk shpërblen punën, por lidhjet.

Lëvizja Vetëvendosje ishte angazhuar për shpërbërjen e këtij sistemi dhe me një axhendë të diferencuar ekonomike ishte bërë partia e dytë për nga fuqia. Ajo do ta vazhdojë politikën e saj militante opozitare. Haradinaj, i cili ka qenë njëherë gjatë 100 ditëve kryeministër, është ballafaquar me akuza për krime të luftës. Gazeta shkruan se për shkak të frikësimit të dokumentuar dhe zhdukjes së paqartë të dëshmitarëve procesi kundër Haradinaj u përsërit, por edhe kësaj radhe përfundoi me lirimin e tij.

Veton Surroi thekson se qeveria e ardhshme me këtë konstelacion me Beogradin është drejtpërdrejt e varur nga Serbia, e cila do të jetë në gjendje ta rrëzojë qeverinë në rast nevoje.

Akuza të reja nga Gjykata Speciale
Me këtë shumicë të ngushtë është mjaft vështirë të ketë koncesione me Serbinë dhe në fund përsëri është në lojë një “kartë e papritur”. Në vjeshtë Gjykata Speciale e Hagës do ngrejë aktakuzat e para për krime gjatë luftës kundër kaderit të UÇK. Ka shumë pak eksponentë të koalicionit të komandantëve, të cilët janë të sigurt, që nuk janë të adresuar.

Doris Leuthard, presidentja e Zvicrës për drogën në Shqipëri, reformën, dialogun dhe shkollat shqip Nga Elida Buçpapaj

Voal mori pjesë në takimin vjetor me Presidenten e Konfederatës Helvetike Doris Leuthardt organizuar nga APES, asosacioni i krijuar 89 vjet më parë nga gazetarë të mediumeve më të njohura të botës.

Zonja Leuthard që mbulon Departamentin Federal te Mjedisit, Transportit, Energjisë dhe Komunikacionit vjen nga CVP, Partia Kristian Popullore e cila prej vitit 1919 sipas formulës së konkordancës mban dy nga shtatë vende në Këshillin Federal

Sipas rotacionit të shtatë këshilltarët Federalë, qendrojnë një vit në këtë pozicion dhe për zonjën Leuthardt është e dyta herë prej vitit 2006 pjestare e Këshillit Federal, në postin e Presidentes të Zvicrës.

A do të ketë një herë të tretë për të?

Ajo është një nga fytyrat më përfaqësuese të politikës zvicerane, shumë e aftê, komunikative, e re në moshë që ka lajmëruar se nuk do të rikanditojë në zgjedhjet e 2019.

Ndërkohë shtypi zviceran parashikoi se ajo mund të zëvendësojë zotin Didier Burkhalter që do të largohet nga Departamenti i Punëve të Jashtme në tetor të këtij viti.

Takimi i gazetarëve të APES me Presidenten e Zvicrës u zhvillua në Schweizerhof Hotel në zemër të Bernës dy hapa nga Pallati Federal. Kolegu jonë, presidenti i APES Jean Musy së bashku me kolegët e komitetit ishin angazhuar që gjithçka të shkonte për së mbari.

Në fillim sipas traditës zonja Leuthardt dha një konferencë për shtyp duke ju përgjigjur pyetjeve të gazetarëve. Pyetjet lidheshin me problemet e klimës, harrikanit Harvey në Teksas, krizës në Korenë e Veriut, Brex-it deri tek problemet shqiptare. Ajo vuri në pah rolin e Zvicrës që njihet jo vetëm për çokollatat dhe orët, por edhe si fuqi ekonomike, e inovacionit dhe e diplomacisë. Leuthard vlerësoi misionin e gazetarëve, për t’u fokusuar tek problemi larg abuzimit me fake news. Ajo evidentoi censurën dhe vështirësitë në shumë vende të botës. Kur një gazetar brazilian e pyeti në lidhje me xhirollogaritë në Zvicër të politikanëve të korruptuar, zonja Leuthard u përgjigj se Zvicra bashkëpunon porse politikanët e korruptuar duhen zbuluar nga shtetet përkatëse, duke shtuar se nuk është Zvicra vend kryesor i fshehjes të parave të pista.

Deklarata e saj e shqiptuar në konferencën për shtyp me APES, në lidhje me krizën në Korenë e Veriut, se ka ardhur koha për ndërhyrje diplomatike ku Zvicra mund të luajë rolin e mediatores, u shpërnda menjëherë nga gjithë agjensitë kryesore të botës. Kësaj here Zvicra ka edhe një arsye më tepër pasi Kim Jong Un ka bërë një pjesë të shkollimit pikërisht afër Bernës, kryeqytetit të Konfederatës. Zonja Leuthardt tha se sanksionet i vuan popullli, prandaj ka ardhur ora e diplomacisë.

Presidentja Doris Leuthard i tribloi pyetjes konformiste rreth marrëdhënieve të mira Zvicer-Kosovë. Duke nënvizuar interesimin dhe kontributin e Zvicrës në Ballkan, ajo hapi një parantezë ku përfshiu edhe Shqipërinë. Pa lufte kundër drogës s’ka BE. Duke e zgjeruar theksin ajo tha se domosdoshmeria e ndalimit të trafikut të drogës nga Shqipëria, lufta kundër krimit të organizuar, kundër korrupsionit dhe plotësimi i reformave, janë kushte për hyrjen e Shqipërisë në BE. Në lidhje me Kosovën i kushtoi rëndësi vazhdimit të dialogut Kosovë-Serbi.

Pas konferencës për shtyp dhe përpara drekës midis zonjës Doris Leuthardt dhe gazetarëve pati takime, foto dhe shkëmbime mendimesh.

Zonja Leuthard i kushtoi gazetarëve vemendje pa e parë asnjëherë orën. APES mbulon vazhdimisht aktivitete të qeverisë zvicerane dhe kështu ekziston një komunikim sa zyrtar aq edhe miqsor midis palëve.

Departamenti i zonjës Leuthard mbulon transportin dhe APES e ka ndjekur hap pas hapi deri në inagurimin e tij me 1 qershor 2016 tunelin hekurudhor tê San Gothardit më i gjati në botë qe kalon përmes Alpeve, çka shënohet si një nga sukseset e ministres.

Doris Leuthard flet me krenari për Zvicrën. Mjafton të shkojmë me pushime jashtë saj tha ajo në intervistën televizive të 1 Gushtit, festës kombetare, dhe kur kthehemi zbulojmē se Zvicra është parajsë falë kontributit të qytetarëve të saj.

Gjatë komunikimit me gazetarët, përfitova nga rasti për të vazhduar me zonjën Leuthardt një temë që e kisha hapur gjate vizitës zyrtare të kryeministrit Edi Rama në Bernë, në lidhje me shkollën shqip. Komuniteti shqiptaro-zviceran është indiferent rreth mësimit të gjuhës shqipe. Shteti i Kosovës nuk mbështet sepse është i varfër. Për çdo vit diaspora kosovaro-zvicerne jep nje kontribut që shkon të paktën 1 miliardë Euro si remitanca në Kosovë, ndërsa fëmijët shqiptare nuk dinë shqip dhe ato shkolla shqip që janë frekuentohen nga më pak se 5% e fëmijëve.

Zonja Leuthard më dëgjoi me vemendje dhe duke pohuar rëndësinë e mësimit të gjuhës amtare, më tha se kjo është detyrë e familjeve shqiptare, që duhet të jenë të interesuara për edukimin e fëmijëve të tyre. Zvicra i jep mbështetje financiare Kosovës, ndërsa komuniteti shqiptaro-zviceran ka burime financiare të mjaftueshme për të investuar për shkollën shqipe.

Mjerisht komuniteti shqiptaro-zviceran është aq shumë i përçarë nga faktori politik në trojet shqiptare sa nuk di më se kush është.

I gjithë kaosi që përjeton politika në trojet shqiptare reflektohet për keq në diasporën shqiptare në Zvicër. Ka ardhur koha që aktiviteti politik i diasporës shqiptaro-zvicerane në mbështetje të rrumpallnajës të partive politike në trojet shqiptare të ndalohet me ligj në Konfederatën Helvetike.

Fotot nga Pierre-Michel Virot

Zvicra është vendi më i sigurt ku emigrantët mund të jetojnë

Zvicra është vendi më i sigurt ku emigrantët mund të jetojnë, kjo sipas një ankete të kryer së fundi nga rrjeti ndërkombëtar.

Për nga siguria në vitin 2017, Zvicra u rendit e para për nga cilësia, në mesin e 65 shteteve të botës të cilat ishin pjesë e studimit.

97 për qind e të anketuarve thanë se ndjehen të sigurt në vendin alpin, duke e ngritur pozitën e Zvicrës në 18 për qind më shume se mesatarja botërore, raportojnë mediat lokale, shkruan Gazeta Metro.

Ky studim kishte për bazë 3 faktorë; sigurinë personale, stabilitetin politik dhe paqen.
Sikurse vitin e kaluar, për shkak se Zvicra u kritikua për çmimet e larta, pavarësisht rrogave të mira, edhe këtë vit, qytetarët nuk ishin të kënaqur me kushtet e banimit, kujdesin shëndetësor si dhe kujdesin ndaj fëmijëve në vend.

Por, kur është fjala te edukimi, Zvicra mori vlerësime  të mëdha.

Meksika dhe Kosta Rika u renditën të dytat, kurse Greqia, Kuvajti dhe Nigeria u vlerësuan si vendet më të këqija për një emigrant.

Zvicra e gatshme të ndërmjetësojë për zgjidhjen e krizës së Koresë së Veriut

BERNË – Presidentja e Konfederatës Zvicerane, Doris Leuthard, tha se vendi i saj mund të marrë përsipër rolin e ndërmjetësit për dhënien fund të krizës bërthamore të Koresë së Veriut.

“Jemi të gatshëm për të bërë një ofertë për të marrë përsipër rolin e ndërmjetësuesit”, tha Leuthard, në një konferencë për media të Shoqatës së Gazetarëve të Huaj të Zvicrës (APES), në kryeqytetin e Zvicrës, Bernë.

Ajo duke theksuar se kriza e Koresë së Veriut mund të përfundojë me dialog, tha se “Sanksionet ndaj Koresë së Veriut nuk dhanë rezultat. Ata që qeverisin vendin vazhdojnë detyrën e tyre, ndërsa popullata u dëmtua nga sanksionet”.

Leuthard, gjithashtu paralajmëroi SHBA-të dhe Kinën që të mos reagohet shumë për të përfunduar krizën.

Koreja e Veriut, dje ka kryer një testim të një bombe të re hidrogjenike me kapacitet për t’u ngarkuar në raketë balistike ndërkontinentale.

Qeveria e Seulit tha se testimi i gjashtë bërthamor me radhë i Phenianit që nga viti 2006 ka qenë testimi më i fuqishëm deri tani, ndërsa Qendra për Hulumtime Gjeologjike të SHBA-ve njoftoi se testimi ka shkaktuar dridhje prej 6.3 ballësh. aa

Popullsia e Zvicrës rritet 1,1%, i kalon 8,4 milionë banorë

VOAL – Në fund të vitit 2016 popullsia me banim të përhershëm në Zvicër ka arritur në 8’419’600 veta. Shtimi në krahasim me vitin 2015 ishte 1,1% (+92’400 veta), bën sot të ditur një komunikatë e Zyrës Federale të Statistikave (UST).

Të gjitha kantonet kanë regjistruar një rritje të popullsisë Argau, Cugu, Voja e Zyrihu (të gjithë +1,5% në bazë vjetore), ndërsa më e pakëta ka qenë rritja në Apencelin e Brendshëm (+0,2%). Në Tiçino rritja e popullisë ishte 0,7%  ose 354’375 banorë.

Krahasuar me vitin 2015 përqindja nga emigracioni, me +71’000 veta, ka rënë 1,2%, duke konfirmuar një prirje zvogëluese të filluar më 2014. Përqindja nga emigracioni, sipas numrit të banorëve, është më e lartë në Bazelin Qytet (15 për mijë) e Vo (11,4). Në fund të klasifikimeve është Jura (2,7), ndërsa mesatarja në shkallë vendi është 8,5.

Në numrin e përgjithshëm të banorëve të huaj, 15,1% janë italianë, 14,4% gjermanë e 12,8% portugetë. Pastaj janë qytetarët francezë (6%), kosovarë (5,2%) e spanjollë (4%).

Tjetër faktor rritje është shtimi natyror (+22’900 persone) ose 20% më shumë se vitin e kaluar. Të lindurit e rinj ishin 87’900, vdekjet 65’000. Vetëm në tri kantone kjo e dhënë ishte negative: Tiçino ( -182), Jura (-23) e Uri (-16).

Friburgu, pasuar nga Argau, është kantoni, në raport me popullsinë e vet, që ka pritur numrin më të madh të banorëve nga zonat e tjera zvicerane më 2016. Më pak se të gjithë ka pritur Bazeli Qytet.

UFAM: Zvicra duhet të përshtatet me pasojat e ngrohjes së klimës

VOAL – Zvicra nuk duhet vetëm të reduktojë gazin serë, duhet të përgatitet ndaj ndryshimeve klimatike për t’i pakësuar rreziqet. Kështu thotë drejtori i Zyrës Federale të Mjedisit (UFAM) Marc Chardonnens, në një konferencë shtypi në Bernë.

Pasojat e ngrohjes klimatike janë tashmë të prekshme: akullnajat shkrihen, periudhat e thatësirës dhe valët e të nxehtit janë gjithnjë e më të shpeshta, rrëshqitjet e dheut, siç i pamë të mërkurën e shkuar në luginën e Bregaljes (Bregaglia), në kantonin Graubynden.

Ndryshimet klimatike do të kenë pasoja të mëdha sa i përket shkrirjes së zonës akullnajore. Ndërkohë pritet edhe shtimi i reshjeve të fuqishme dhe stuhive, me rreziqe përmbytjesh.

Krijimi i sistemeve të alarmit dhe ndërtimi i strukturave mbrojtëse do të ndihmonin në mbrojtjen e njeriut dhe të hapësirave të banuara, thotë Chardonens.

8 të zhdukur pas rrëshqitjes së dheut në Zvicër

Të paktën 8 persona rezultojnë të zhdukur në Zvicër pas një rrëshqitjeje masive dheu që detyroi evakuimin e një fshati në alpet zvicerane.

Sipas autoriteteve, mes të zhdukurve ka shtetas gjermanë, austriakë dhe zviceranë.

Rrëshqitja e dheut goditi një luginë të largët, duke sjellë me vete rreth 4 milionë metër kub baltë e gurë në fshatin Bondo, pranë kufirit me Italinë. Të paktën 200 persona u evakuuan.

Pavarësisht nga kërkimet e vazhdueshme, ndihmuar edhe nga helikopterë të ushtrisë, policia njoftoi se nuk po gjen dot vendndodhjen e tetë personave të zhdukur.

Jun Cui: «Një ditë treni kinez do ta përshkojë Gotardin»

VOAL – Heret a vonë, trenat kinezë do të zënë një nga vendet e para në tregun evropian. Kjo është bindja Jun Cui, këshilltare dhe eksperte hekurudhore. Jun Cui punon edhe si mediatore kulturore mes Zvicrës dhe Kinës. Banore e Zvicrës, ajo punon sidomos me ndërmarrjet e vogla dhe të mëdha. Merret me kërkimet në treg, duke këshilluar ndërmarrjet për ofertat e prodhimeve dhe teknologjive, si dhe për analizat e klientelës dhe të konkurencës. Dhjetë vitet e fundit ka punuar sidomos me Hekurudhat Federale Zvicerane, me ABB, Duagon, Ruf, Plumettaz e Systransis.

E pyetur nga swissinfo.ch për pengesat kryesore në komunikimin mes dy vendeve, ajo ka thënë se ato janë gjuha dhe ndryshimet kulturore. Rreziku i moskuptimeve është gjithmonë i pranishëm. Saktësia dhe serioziteti zviceran përballen me dyshimin dhe vigjilencën kineze. Prandaj duhet të shmangim pengesa të tilla dhe të favorizojmë mirëkuptimin e ndërsjellët.

Lidhur me padurimin e prodhuesve kinezë të trenave për të hyrë në tregun evropian, ndërkohë që kërkohet të kenë arritur nivelin e konkurrentëve europianë e amerikanë, ekspertja kineze thotë se Kina sa iu përket llogaritjes së çmimeve dhe metodave të administrimit është ende prapa, por sa iu përket teknologjive të fabrikimeve dhe cilësisë së prodhimeve ka arritur nivelet ndërkombëtare. Në ndërmarrjet e mëdha, thotë ajo, Kina ia kalon Evropës. Vitin e shkuar Kina ka arritur nivelin e 90 miliardë dollarëve në tregun ndërkombëtar të industrisë së trenave, duke eksportuar edhe në Francë, Angli dhe Austri.

swissinfo.ch e pyet rreth pretendimeve të Kinës se ia ka arritur vetë realizimin e trenave të shpejtësisë së lartë, ndërkohë që disa pohojnë se kinezët kanë vjedhur teknologjine zvicerane, Jun Cui thotë se Kina nuk ka vjedhur, por vetëm ka shkëmbyer teknologji me Zvicrën.

Për të ardhmen e marrëdhënieve mes dy vendeve, duke iu përgjigjur pyetjes nëse një ditë trenat e fabrikuar në Kinë a do ta përshkojnë Gotardin, ekspertja kineze ka pohuar se hekurudhat kineze tani kanë një rol të madh në nivel ndërkombëtar. Industria hekurudhore zvicerane e di se Kina përpfqëson një treg të madh për shitjen dhe blerjen e trenave. Ka një mundësi të madhe që në të ardhmen mes dy vendeve të ketë një bashkëpunim shumë të madh edhe sa iu përket lokomativave.

Ujku në Zvicër duhet të ketë më pak mbrojtje

VOAL – Ujku në Zvicër duhet të ketë më pak mbrojtje. Kështu parashikon ndryshimi i bërë sot nga Këshilli Federal në ligjin për gjahun, i cili po rishikohet pjesërisht.

Në këtë ndryshim parashikohet që Konfederata të bëjë një interpretim të ri të Konventës së Bernës, me qëllim që ujku të përjashtohet nga kategoria “specie absolutisht e mbrojtur” dhe të futet në kategorinë “specie e mbrojtur”.

Pse votuesit zviceranë nuk i zgjedhin ministrat e qeverisë së tyre?

VOAL – Shtatë anëtarët e kabinetit qeveritar të Zvicrës zgjidhen nga parlamenti. Në një ceremoni në parlament, të shtatë anëtarët, njëri pas tjetrit, betohen përpara Kushtetutës. Nëse një anëtar i kabinetit largohet gjatë mandatit, atëherë parlamenti zgjedh pasuesin e tij.Do të ishte e natyrshme që, bazuar në demokracinë direkte zvicerane, vetë votuesit të zgjidhnin qeveritarët e tyre. Por ky është një përjashtim i veçantë: votuesit nuk mund ta zgjedhin kabinetin qeveritar drejtpërdrejt. Ky është një privilegj i parlamentit, i cili më 20 shtator do të zgjedhë një pasues të Didier Burkhalterit si Ministër të Jashtëm.

Arsyeja e kësaj shmangieje në demokracinë zvicerane i ka rrënjët në historinë e Zvicrës. Numri i anëtarëve të kabinetit dhe mënyra e zgjedhjes së tyre ka mbetur e pandryshuar që nga viti 1848, kur u themelua Zvicra moderne.

Partia Radikale, e qendrës së djathtë, më 1 shtator, do të paraqesë një listë të ngushtë të kandidatëve për Ministër të Jashtëm. Parlameti do të zgjedhë njërin prej tyre në vend të Burkhalterit më 20 shtator.