Donat Kurti i përket asaj plejade intelektualësh shqiptarë që e shihnin kulturën jo thjesht si një fushë studimi, por si një detyrë ndaj gjuhës, historisë dhe kujtesës kombëtare.
Jeta e tij u përshkua puna e palodhur për ruajtjen e trashëgimisë popullore dhe përndjekja e gjatë nga regjimi komunist. I lindur në Shkodër në fillim të shekullit XX, Kurti do të bëhej një nga emrat e rëndësishëm të kulturës shqiptare, veçanërisht në mbledhjen dhe dokumentimin e folklorit. Ai iu përkushtua mbledhjes së këngëve, legjendave, përrallave, lojërave popullore, shprehjeve dhe dëshmive të tjera të jetës shpirtërore të shqiptarëve. Por historia e tij nuk është vetëm historia e një studiuesi. Është edhe historia e një njeriu që, pas viteve të studimit dhe shërbimit si mësues e drejtues shkolle, u arrestua nga regjimi komunist dhe kaloi rreth 17 vjet në burgje dhe kampe pune. Edhe në kushtet më të vështira, Kurti nuk e ndërpreu punën intelektuale. Përkundrazi, burgu u bë një tjetër hapësirë ku ai vazhdoi të shkruante, përkthente dhe ruante materiale që sot përbëjnë një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë së tij.
NGA SHKODRA NË ROMË
Donat Kurti lindi në Shkodër më 3 shtator, në një familje të lidhur me traditën qytetare të këtij qyteti. I pagëzuar me emrin Cin, ose Agustin, ai u rrit në një mjedis ku arsimi, kultura dhe feja kishin një prani të rëndësishme në jetën shoqërore. Në vitin 1920 hyri në Urdhrin Françeskan. Pas përfundimit të studimeve të para dhe të mesme në vendlindje, vijoi arsimin e lartë në Romë, në Collegium Antonianum, ku studioi teologji dhe filozofi. Më 24 shtator 1927 u shugurua prift dhe po atë vit u kthye në Shqipëri. Rikthimi në Shkodër shënoi fillimin e një periudhe të gjatë pune në arsim dhe kulturë. Ai u emërua profesor në Gjimnazin Françeskan “Illyricum”, një prej institucioneve më të rëndësishme arsimore të Shkodrës së asaj kohe.
Në këtë shkollë zhvilloi veprimtarinë e tij si mësues, studiues dhe edukator. Kurti dha mësim gjuhën shqipe, latinishten dhe lëndë të tjera, ndërsa përgjatë viteve mori edhe përgjegjësi drejtuese. Nga viti 1930 deri më 1938 shërbeu si nëndrejtor dhe më pas mori drejtimin e institucionit. Në “Illyricum” ai punoi në një mjedis ku vepronin disa prej figurave më të rëndësishme të kulturës shqiptare. Emra si Gjergj Fishta, Marin Sirdani, Justin Rrota dhe Anton Harapi lidhen me këtë traditë të arsimit dhe kulturës françeskane në Shkodër. Kjo atmosferë intelektuale ndikoi edhe në formimin e mëtejshëm të Kurtit, i cili krahas mësimdhënies nisi të merrej gjithnjë e më shumë me gjuhën, folklorin dhe traditën popullore. Nëse arsimi ishte një nga shtyllat e veprimtarisë së tij, folklori ishte fusha ku emri i Donat Kurtit do të linte gjurmën më të qëndrueshme. Kurti udhëtoi drejt burimeve të gjalla të kësaj tradite, gojës së popullit. Një pjesë e rëndësishme e punës së tij lidhet me mbledhjen e përrallave popullore. Një tjetër pikë kulmore e veprimtarisë së tij ishte puna me Atë Bernardin Palajn në mbledhjen e ciklit të kreshnikëve dhe legjendave shqiptare.
Vepra “Kangë kreshnikësh dhe legjendash”, e lidhur me projektin e madh të “Visareve të Kombit”, përfaqëson një kontribut të rëndësishëm në dokumentimin e epikës gojore shqiptare. Këngët e kreshnikëve nuk janë thjesht materiale folklorike. Ato janë një nga format më të fuqishme përmes të cilave kujtesa kolektive ka ruajtur figura, konflikte, ideale, kode nderi dhe mënyra të konceptimit të botës. Puna e Kurtit dhe Palajt ishte veçanërisht e rëndësishme sepse një pjesë e kësaj trashëgimie ekzistonte dhe transmetohej kryesisht në mënyrë gojore. Veprimtaria e Donat Kurtit nuk u kufizua te folklori. Ai punoi edhe në fushën e gjuhës dhe të arsimit. Për nevojat e shkollës ku punonte, përktheu nga gjermanishtja materiale të lidhura me mësimin e latinishtes, ndër to “Gramatika latine, morfologji” dhe “Sintaksi i gjuhës latine”. Kjo veprimtari dëshmon për profilin e gjerë të tij intelektual. Ai nuk ishte vetëm mbledhës i traditës popullore, por edhe pedagog e përkthyes, i interesuar për formimin e nxënësve dhe zhvillimin e arsimit. Në revistën “Hylli i Dritës”, një nga periodikët më të rëndësishëm të kulturës shqiptare të kohës, botoi një seri shkrimesh dhe studimesh. Ndër to përmendet edhe monografia “Lojnat popullore”, e botuar në një seri numrash të revistës. Në këto shkrime shfaqet një tjetër dimension i punës së tij, përpjekja për të dokumentuar mënyrat e jetesës dhe argëtimit të popullit, jo vetëm krijimtarinë e tij artistike.
RREZIKSHMËRIA E KOMUNIZMIT
Viti 1946 do të shënonte një prej kthesave më të dhimbshme në historinë e klerit katolik shqiptar dhe të jetës kulturore të Shkodrës. Në atë kohë, At Donat Kurti ishte drejtor i Gjimnazit Françeskan “Illyricum”, një prej institucioneve arsimore më të rëndësishme të qytetit dhe një vatër e dijes, kulturës, gjuhës dhe traditës shqiptare. Pas mureve të këtij institucioni ishte formuar një brez intelektualësh, ndërsa rreth tij kishin punuar figura të njohura të kulturës shqiptare. Për At Donat Kurtin, drejtimi i “Illyricum”-it nuk ishte thjesht një detyrë administrative. Shkolla përfaqësonte një mision arsimor e kulturor. Aty ndërthureshin mësimi, kërkimi shkencor, letërsia, historia, gjuha dhe trashëgimia shpirtërore. Por në vitin 1946 kjo botë po përballej me një realitet krejt të ri politik. Regjimi komunist, i konsoliduar pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, po ndërmerrte hapa të njëpasnjëshëm për të kontrolluar institucionet fetare, arsimin dhe jetën publike. Për klerin katolik të Shkodrës, përplasja nuk ishte më vetëm politike. Ajo po shndërrohej në një përballje për mbijetesën e institucioneve, të kujtesës dhe të një tradite kulturore të krijuar ndër dekada.
Në këtë atmosferë, At Donat Kurti udhëtoi drejt Tiranës rreth mesit të tetorit 1946, me synimin për të takuar Nako Spirun dhe për të diskutuar problemet financiare të shkollës. Sipas dëshmive të përcjella në dokumentacionin dhe kujtimet mbi atë periudhë, takimi nuk u realizua. Për Kurtin, ky udhëtim do të ishte një moment i rëndësishëm për të kuptuar se çfarë po përgatitej për institucionin që drejtonte. Kur u kthye në Shkodër, situata ishte rënduar. “Illyricum”-i dhe institucionet françeskane ndodheshin nën presion gjithnjë e më të madh. Në rrëfimet e mëvonshme për këtë periudhë përmendet edhe vendimi i Kurtit për të ndërhyrë te vula e shkollës, një veprim që është interpretuar si përpjekje për të parandaluar përdorimin ose manipulimin e dokumenteve të institucionit. Pak javë më vonë, gjithçka do të ndryshonte. Në nëntor 1946, goditja ndaj klerit katolik të Shkodrës u bë e drejtpërdrejtë. Institucionet fetare dhe arsimore u vunë në shënjestër, ndërsa arrestimet nisën njëra pas tjetrës. At Donat Kurti u arrestua më 12 nëntor 1946. Akuzat ndaj tij ishin të rënda. Ai u akuzua për pjesëmarrje në formimin e një partie demokristiane, për futjen e armëve në kishë, për edukimin e rinisë me frymë fashiste dhe për bashkëpunim me revistën “Hylli i Dritës”, ndër të tjera. Në klimën politike të kohës, këto akuza mjaftonin për ta vendosur një klerik përballë një aparati represiv ku përfundimi i procesit shpesh dukej i paracaktuar.
ARRRESTIMI NË DIKTATURË
Pas Luftës së Dytë Botërore, jeta e Donat Kurtit ndryshoi në mënyrë drama tike. Regjimi komunist nisi goditjen ndaj institucioneve fetare dhe veçanërisht ndaj klerit katolik në Shkodër. Në këtë valë represioni u arrestua edhe Donat Kurti. Ai u arrestua në nëntor 1946 dhe u përball me akuza politike. Hetuesia e tij u zhvillua nën autoritetin e strukturave të Sigurimit dhe prokurorisë së kohës. Në proces u përdorën metoda presioni që ishin karakteristike për hetimet politike të regjimit komunist. Për Kurtin, përballja me hetuesinë ishte edhe më e rëndë për shkak të gjendjes së tij shëndetësore dhe një sëmundjeje kronike që e kishte shoqëruar prej vitesh. Megjithatë, në deklarimet e tij para trupit gjykues, ai nuk pranoi akuzat kryesore. Një prej pjesëve më domethënëse të dëshmisë së tij lidhet me qëndrimin ndaj pushtetit të ri. Kurti shpjegonte se, pas vendosjes së pushtetit komunist, e kishte kuptuar se ky pushtet përbënte rrezik për fenë dhe për të drejtat e katolikëve.
Në dëshminë e cituar në dosjen e tij, ai shprehej se e konsideronte pushtetin komunist si një rrezik më të madh për vendin sesa pushtimet italiane dhe gjermane. Kjo deklaratë, e marrë në kontekstin e kohës, tregon qartë se si një pjesë e klerit katolik e perceptonte ndryshimin e sistemit politik pas vitit 1944. Procesi gjyqësor përfundoi me një dënim fillimisht me vdekje, i cili më pas u kthye në burgim të përjetshëm dhe më vonë në 25 vjet burg. Pjesën më të madhe të viteve të dënimit e kaloi në burgje dhe kampe pune, ndër të tjera në Beden, Maliq, Orman-Pojan dhe në burgun e Burrelit. Në total, rreth 17 vite të jetës së tij u kaluan në burgje dhe kampe. Kjo periudhë do të mund të kishte shkatërruar edhe vullnetin e një intelektuali. Për Kurtin ndodhi e kundërta. Një nga aspektet më të jashtëzakonshme të historisë së tij është fakti se edhe në burg ai vazhdoi të punonte. Në kushte të vështira, larg bibliotekave, arkivave dhe mjeteve të zakonshme të punës akademike, ai vijoi të merrej me gjuhën, letërsinë, folklorin dhe përkthimin.
Një prej projekteve më të rëndësishme ishte përkthimi në shqip i Besëlidhjes së Re. Puna për këtë përkthim u zhvillua edhe në bashkëpunim me priftërinj të tjerë bashkëvuajtës. Dorëshkrimi i përkthimit nuk u botua në kohën kur u përgatit. Pjesë prej tij do të bëheshin të njohura shumë më vonë, pas rënies së regjimit komunist. Edhe në burg ai vazhdoi të mblidhte e të përpunonte materiale gjuhësore. Një prej veprave të rëndësishme që la në dorëshkrim ishte “Thaça ose mënyra të thanunit në gjuhën shqipe”, ku përfshihen mijëra njësi frazeologjike dhe proverba nga e folmja e Shkodrës. Donat Kurti u lirua më 20 maj 1963, pas rreth 17 vitesh burgim dhe internim. U kthye në Shkodër dhe vazhdoi të jetonte në kushtet e kufizuara që regjimi u impononte klerikëve të liruar. Pas vitit 1967, kur regjimi komunist shpalli ndalimin e fesë dhe mbylli institucionet fetare, jeta e tij u bë edhe më e vështirë. Ai jetoi në kushte të mjerueshme, ndërsa vazhdoi të punonte me shkrime dhe dorëshkrime. Vitet e fundit i kaloi në Fushë-Arrëz/FushëFirej, sipas burimeve biografike, dhe ndërroi jetë në nëntor 1983. U varros fillimisht në varrezat e Stom-Golemit. Pas rënies së komunizmit, eshtrat e tij u rivarrosën në varrezat e françeskanëve në Kuvendin e Gjuhadolit. Edhe pse emri i tij u la në heshtje nga institucionet zyrtare gjatë regjimit komunist, materialet që ai kishte mbledhur vazhduan të qarkullonin dhe të përdoreshin.
Një shembull domethënës është botimi i përmbledhjeve me përralla popullore nga Instituti i Folklorit në vitin 1966. Në vëllimin e parë u përfshinë edhe përralla që ishin mbledhur dhe botuar më herët nga Kurti. Donat Kurti la pas një fond të rëndësishëm dorëshkrimesh. Bëhet fjalë për dhjetëra vepra dhe materiale në fusha të ndryshme: folklor, gjuhësi, letërsi, fe, edukim dhe kulturë. Mes tyre përmenden përmbledhje tregimesh, poezi, materiale gjuhësore, studime folklorike dhe punime mbi traditën shqiptare. Tituj si “Mësimet e nanës”, “Në rrugën e plepave”, “Kah gurrat e jetës”, “Lule më lule” dhe materiale të tjera dëshmojnë për një krijimtari shumë më të gjerë sesa ajo që u bë e njohur gjatë jetës së tij. Një pjesë e konsiderueshme e kësaj trashëgimie u ruajt falë përkushtimit të njerëzve që e mbrojtën fondin e tij në periudhën kur ruajtja e dorëshkrimeve të një kleriku të persekutuar mund të ishte edhe e rrezikshme.
Sot, dekada pas vdekjes së tij, vepra e Donat Kurtit mbetet pjesë e historisë së studimeve shqiptare dhe e trashëgimisë kulturore të Shkodrës. Përrallat, këngët, legjendat, proverbat dhe shprehjet që ai mblodhi janë pjesë e një kujtese shumë më të gjerë shqiptare. Donat Kurti kaloi një pjesë të madhe të jetës duke mbledhur zërat e të tjerëve. Zëra të njerëzve të zakonshëm, të tregimtarëve, këngëtarëve dhe bartësve të traditës. Në vitet kur vetë ai u përpoq të mbijetonte përballë burgut dhe përndjekjes, ai vazhdoi të ruante fjalët e të tjerëve. Kjo është ndoshta një nga trashëgimitë më të fuqishme që la pas.
/Gazeta Panorama