Një 43-vjeçar zviceran është arrestuar pas të shtënave me armë zjarri në një festë techno në qytetin Aarau të Zvicrës, ku një 22-vjeçare italiane humbi jetën dhe pesë persona të tjerë mbetën të plagosur.
Ngjarja e rëndë ndodhi të dielën në pistën e garave të kuajve në Schachen, ku ishte organizuar një rave techno me rreth 3,500 pjesëmarrës të pritshëm. Policia mori njoftimin e parë për të shtëna rreth orës 02:30 me kohën lokale.
Viktima është identifikuar si 22-vjeçarja italiane Maria Spinelli. Ajo u qëllua për vdekje dhe ndërroi jetë në vendngjarje. Pesë persona të tjerë, katër burra dhe një grua, të moshave 24 deri në 27 vjeç, u dërguan në spital për trajtim. Sipas autoriteteve, plagët e tyre varionin nga të lehta deri në të rënda.
Pas sulmit, policia zvicerane nisi një operacion të gjerë kërkimi, i cili zgjati për gati 24 orë. I dyshuari u arrestua pak para orës 01:00 të së hënës, duke i dhënë fund kërkimeve intensive në zonën e Aaraut. Policia e kantonit të Aargaut konfirmoi arrestimin dhe bëri të ditur se hetimet për rrethanat e plota të ngjarjes janë ende në zhvillim.
Autoritetet po përpiqen të përcaktojnë saktësisht se si nisi përplasja, çfarë e motivoi sulmin dhe nëse autori kishte ndonjë lidhje me viktimat apo pjesëmarrësit e eventit. Sipas policisë, në këtë fazë besohet se 43-vjeçari ka vepruar i vetëm.
Një dëshmitar okular tregoi për mediat zvicerane se gjithçka ndodhi papritur. Ai tha se dëgjoi të shtënat vetëm pak minuta pasi muzika ishte ndalur dhe fillimisht mendoi se bëhej fjalë për fishekzjarre.
Ngjarja shkaktoi alarm të madh në Aarau, qytet me rreth 23 mijë banorë, i vendosur rreth 46 kilometra në perëndim të Zyrihut dhe më pak se 40 kilometra nga kufiri me Gjermaninë. Mediat lokale raportuan se edhe autoritetet gjermane po mbështesnin forcat zvicerane gjatë operacionit të kërkimit. bw