New York, 2 Tetor 2026
Një pjesë të konsiderueshme të jetës sime ia kam kushtuar lirisë, pavarësisë dhe dinjitetit të popullit të Kosovës.
E bëra këtë sepse besova në Kosovën. Besova në popullin e saj. Dhe besova se Amerika kishte një përgjegjësi historike për të qëndruar pranë atyre që luftonin për liri dhe demokraci.
Nuk i kam kërkuar kurrë Kosovës asgjë në këmbim. Sot, megjithatë, po kërkoj një gjë të vetme.
Kjo është kërkesa ime e parë — dhe do të jetë e fundit!
Kosova nuk mund ta përballojë një tjetër krizë politike, një tjetër bllokadë institucionale apo një tjetër palë zgjedhjesh, thjesht sepse liderët e saj politikë nuk arrijnë të pajtohen për zgjedhjen e Presidentit të Republikës.
E mirëpres Deklaratën e miratuar nga Kuvendi i Kosovës lidhur me aktgjykimin e fundit të Dhomave të Specializuara të Kosovës. Në një moment të vështirë dhe të dhimbshëm për Kosovën, ishte e rëndësishme që Kuvendi të fliste me përgjegjësi institucionale.
Por deklaratat duhet të pasohen nga veprimet.
Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar kornizën dhe afatin për zgjedhjen e Presidentit. Tani, liderët politikë të Kosovës kanë përgjegjësinë të veprojnë dhe ta përmbyllin këtë proces para 6 tetorit, duke shmangur një tjetër krizë të panevojshme institucionale.
Pikërisht për këtë arsye, u jam drejtuar me shkrim, më 27 gusht, drejtpërdrejt liderëve të partive politike të Kosovës, duke propozuar Faton Bislimin si kandidat konsensual për President të Republikës.
Fatoni nuk i përket një partie politike. Ai i përket Kosovës. E njoh Fatonin prej më shumë se dy dekadash. E kam përcjellë nga afër punën, përkushtimin dhe angazhimin e tij të jashtëzakonshëm për Kosovën dhe çështjen kombëtare shqiptare.
Kontributi i tij ka qenë veçanërisht i rëndësishëm në Washington, ku për më shumë se njëzet vjet ka punuar për Kosovën dhe ka ndërtuar marrëdhënie në të gjithë spektrin politik amerikan.
Ai e nisi këtë rrugëtim në fillim të viteve 2000, përfshirë angazhimin në stafin e Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, nën udhëheqjen e mikut tim të dashur dhe mbështetësit të madh të Kosovës, kongresistit të ndjerë Tom Lantos.
Që nga ato ditë të para e deri më sot, Fatoni ka ndërtuar marrëdhënie të mirëfillta si me republikanët, ashtu edhe me demokratët. Ai e ka kuptuar një të vërtetë thelbësore për Washingtonin: Mbështetja e Amerikës për Kosovën nuk duhet t’i përkasë kurrë vetëm një partie. Ajo duhet të jetë pjesë e marrëdhënies së qëndrueshme ndërmjet popullit amerikan dhe popullit të Kosovës.
Fatoni e kupton këtë. Ai ka arsimimin, përvojën, gjykimin, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe njohuritë e nevojshme për ta përfaqësuar Kosovën në këtë moment kritik.
Por ka edhe një arsye tjetër pse po flas tani.
Kosova po kalon një moment historik.
Zhvillimet e fundit në Hagë kanë prekur diçka shumë më të thellë se politika. Ato kanë prekur historinë, dinjitetin dhe kujtesën e një populli që luftoi për lirinë e tij.
Kosova duhet ta respektojë procesin gjyqësor. Por ajo duhet të ketë edhe guximin dhe përgjegjësinë për ta ruajtur të vërtetën mbi luftën e saj çlirimtare dhe për t’i mbrojtur vlerat legjitime për të cilat populli i saj sakrifikoi aq shumë.
Besoj se Faton Bislimi ka përvojën dhe mirëkuptimin e nevojshëm për të ndihmuar në udhëheqjen e kësaj përpjekjeje kombëtare — jo si përfaqësues i një partie, por si President që mund t’u flasë të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe ta përfaqësojë Republikën me dinjitet para Shteteve të Bashkuara, Evropës dhe mbarë botës.
Ia kam kushtuar jetën time luftës për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, dhe së bashku me Shirley-n dhe AACL-në tonë, ne ndihmuam që ato të bëhen realitet!
Nuk kam pritur kurrë asgjë në këmbim.
Por sot, po u kërkoj liderëve politikë të Kosovës — këtë herë publikisht, pasi më 27 gusht u kam dërguar edhe letra — që ta vendosin vendin mbi partinë.
Po u kërkoj të shohin përtej kalkulimeve të radhës politike dhe të mendojnë për atë që historia do të kërkojë prej tyre.
A mund ta gjejë Kosova unitetin pikërisht atëherë kur ka më së shumti nevojë për të? A mund ta parandalojnë liderët e saj politikë një tjetër krizë institucionale? A mund ta zgjedhin një President që përfaqëson tërë vendin, e jo vetëm një kamp politik?
Besoj se përgjigjja mund të jetë po. Dhe besoj se Faton Bislimi është një njeri i aftë për ta bartur këtë përgjegjësi.
Prandaj, kjo është kërkesa ime e parë dhe e fundit: Ju lutem, mos e çoni Kosovën drejt një pale tjetër zgjedhjesh për shkak të dështimit për ta zgjedhur Presidentin e saj.
Ju lutem, vendoseni Kosovën të parën.
Ju lutem, gjeni guximin të zgjidhni unitetin në vend të përçarjes, Republikën në vend të partisë dhe të ardhmen në vend të kalkulimeve politike.
Kam qëndruar pranë Kosovës për dekada të tëra. Sot, qëndroj edhe një herë pranë saj. Dhe u kërkoj liderëve të saj — ndoshta për herë të fundit — që edhe ata të qëndrojnë pranë Kosovës.
Për hir të Kosovës. Për hir të popullit të saj. Dhe për hir të lirisë për të cilën aq shumë njerëz sakrifikuan gjithçka.
Joe DioGuardi