VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Akademia këtë vit do të ndajë dy çmime Nobel për Letërsi

By | March 5, 2019
blank

Komentet

blank

REJA E ZEZË – Poezi nga QERIM UJKANI

 

Reja e zezë
Më rri mbi kokë

Diellin ma zë
Hijen ma shlyen mbi tokë

Thika flakëruese
Më tregon nëpër vetëtimë

Në oxhak
Më zbret si korb

E m’i frikon fëmijët
Në gjumë

Arën dhe kopshtin
M’i gjuan me breshër

Zabelin ma kall
Me rrufe

E loton
Për të zezën e vet

Reja e zezë
Mish i egër i qiellit tim

blank

LUTJE – Poezi nga MIGJENI

Të lutem, o perëndi,
për një simfoni
me tinguj t’argjantë
e akorde t’artë.Të lutem, o perëndi,
për një simfoni –
plot dashuni
të nxehtë si tu vasha gjitë
kur vlojnë ndijesitë.

Të lutem, o perëndi
për një simfoni
të dëfrej në lumni
t’u u përkundë n’ani
të bukur t’andrrimeve
të kaltër, ku të fantazmeve
buzët më tërheqin zjarrtë
e më digjen syt e flaktë.

Të lutem, o perëndi,
për një simfoni –
e kurr, e kurr ma mos të zgjohemi.

blank

Kanga XI – (Ferri) NË SKAJ, KU ZBRET RRËMBYESHËM NJI BREGORE – Nga DANTE ALIGHIERI – Përktheu PASHKO GJEÇI

Kanga XI

Ne skaj, ku zbret rrembyeshem nji bregore

Shkambijsh vigane, te çame, ne forme te qarkut,

Mbrritem e pame na vuejtje ma mizore.

.

Aty nje ere e qelbte te vinte hakut,

Kah avull ngrihej thellesish perpjete,

Prandej shpejtuem me u struke permbas kapakut

.

Te nje varri te madh, ku vrejta vete

Te tille mbishkrim: “Ndryj Anastasin pape,

Qe e nxuer Fotini rruges se vertete.”

.

“Ketij shtegu ngadale duhet me u kape,

sa t’msohemi me t’randin kundermim;

pastaj ky ma trazim nuk do na jape.”

.

Keshtu udheheqsi, e une: “Ndonje shpjegim

Me jep, qe koha kot mos te kaloje.”

E ai: “Mu per kete gja ishe n’mendim.

.

O biri im, – filloi ai te tregoje, –

Ketu me shkamb tre rrathe jane te ndertuem

Shkalle-shkalle, si ata qe lame kesaj rrenoje.

.

Te gjithe jane plym me shpirtna te mallkuem;

E qe te kesh, tue zbrite, ma qartesi,

T’them si e pse ma poshte rrijne grumbulluem.

.

Çdo e keqe, qe e ka qielli ne meni,

Synim ka fymjen, e ketij synimi

I arrihet o me dhune o me njimti.

.

Mbasi njimtine perdor veç njerezimi,

E urren Zoti ma fort; pra jane njimtare

Ata ne fund, – ma i rande per ta denimi.

.

Me perdhunues asht krejt brezi i pare;

Mbasi n’tri vehtje dhuna mund t’drejtohet,

Prandej tri shkallesh asht dhe rrethi mbare.

.

Ndaj Zotit, vehtes, fqinit perdorohet

Dhuna, mbi ata vete ose mbi gja

Te tyne; qarte do e shohesh mbas do kohet.

.

Me e plagose rande o fare ti me e vra

Mundesh nje fqinin tand, e atij gjane

Ia prish, ia ndez o mundesh pre me i ra, –

.

Pra ata qe shkaktuen plage ose qe vrane,

E shkatrrimtare e cuba i gjen zhyt

N’brezin e pare, ne çeta t’ndryshme jane.

.

Ngajhere njeriu vehtes i kcen ne fyt

O giane e vet shkatrron; prandej i ke

N’brezin e dyte, tue u qa tani pa fryt,

.

Ata qe fij’n e jetes s’vet kane pre,

N’loje humben pasunite o i shkrine e n’vaje

E çuen ate jete, ku duhet t’kesh hare.

.

Kunder Hyjnise njeriu dhune mund te baje

Tue e mohue ose tue blasfemue,

Tue shkele natyren, miresine e saj.

.

Prandej nje brez ma  ngushte vule u ka vu

Sodomes e Kaorses; dnon pa shprese

Ata qe Zotin rrijne tue e mallkue.

.

Njimtine, mekat qe s’qitet ne harrese,

Mund ta perdoresh n’ke t’beson pa u tute

Ose tek ai, i cili s’te zen bese.

.

Ky lloj i fundit lidhjet i keput

Te dashunise, qe lind bashke me njerine;

Prandej n’rrethin e dyte jane per çdo skute:

.

Hipokrizi e lajke, kush ndjek magjine,

Falsifikimi, vjedhja e simonija,

Ke n’plehna tjere rrufjanin, batakçine.

.

N’llojin e pare braktiset dashunija

Qe fal natyra e çka njeriu i shton,

Nga rrjedh i gjithe besimi e afersija.

.

Prandej n’rrethin ma t’ngushte, mu n’thelb qendron

Te rruzullimit, ku seline ka Dite,

I torturuem perjete kush tradheton.”

.

E une: “Mesues, te me sqarosh ti dijte,

Pjeset e honit fare mire i shquen

Dhe popullsine e tij drejte paraqite,

.

Por m’thuej: ata n’kenete e ata n’furtune

Rrembye e barte, qe shiu e rreh krejt qulle,

O ata qe i pame kah shaheshin me dhune,

.

Pse s’i kane fute ne kete te zjarrten kulle

Per dnim, ne qofte se I mnin ai Zot i larte?

Ne qofte se jo, pse vuejne ashtu?”. M’u suell

.

Ne kete menyre: “Ti çka po flet perçart

E je ngatrrue ma fort se tjeter here?

Mos valle diçka mendon qe s’e shoh qarte?

.

Nuk te kujtohen ato fjale me vlere

T’Etikes sate, holle ku jane permendun

Tri prirjet, qe Zotyne urren ngahere,

.

Shfrenimi i plote e shtazerija e çmendun

Dhe shpirtligsija? Si shthurja e pamase

S’e fyen aq Hyun e s’shahet pra aq dendun?

.

Po ta studjosh çka thashe une ne kete rase

E n’qofte se ata te dnuem ne mend i mban,

Qe jane tue ba pendese jashta kalase,

.

Ti do kuptosh se pse i ndane veçan

Nga kta te mbrapshte, e pse jo aq pa meshire

Hakmarrja e Perendise u bje çekan.”

.

“O djell, qe syte e mjegulluem i dlir,

kaq me kenaq kah jep te qarte shpjegimin,

sa jo te dij, – t’dyshoj me vjen ma mire.

.

Pak mbrapa, lutem, hidh tani veshtrimin, –

I thashe, – atje ku thue fajdeja fyen

Mirsine hyjnore; zgjidhma, pra, dyshimin!”

.

“Filozofija, per ke thelle i hyn, – m’u gjegj,

– tregon jo vetem ne nje ane

se si natyra fillin nga Zotyne

.

e arti i hyjnueshem e ka zane;

e ne studjosh Fiziken tande, do t’i gjejsh

krejt mendimet, jo kah fundi jane,

.

aq arti juej, persa ai asht i zoti,

natyren ndjek si nxanes plot me zell;

pra artin tuej nip gati e ka Zoti.

,

Natyra e arti, n’qofte se nder mend sjell

Gjenezen q’prej fillimi, njerezvet

U ka dhane t’mbaren, i ka mbajte e knelle.

.

Por fajdexhiu rruge tjeter fare gjet;

Natyre e art mbasdore ai i len,

Se diku tjeter var shpresen e vet.

.

Por t’i lame fjalet, t’ecim me pelqen;

Hyllsija e Peshkut n’horizont veton

E Qerrja siper Korit vend po zen, –

.

Larg asht rrepina, qe perposh na çon.”

blank

HOROSKOPI E PREMTE 24 SHTATOR 2021

Dashi
Shmangni çdo gjë që mund të jetë e lodhshme mendërisht ose fizikisht. Sot do të planifikoni të dilni në një shëtitje me partnerin/partnerin tuaj, megjithatë një ndryshim i papritur i planeve mund ta parandalojë këtë. Kjo mund të çojë në një debat të nxehtë mes jush dhe të dashurit/dashurës suaj.

Demi
Situata në familjen tuaj mund të mos jetë aq normale apo e qëndrueshme sa mendoni. Sot ekziston mundësia e një grindjeje ose mosmarrëveshjeje brenda familjes. Në këtë rast, përpiquni të keni ndikim stabilizues.

Binjakët
Mbani zemërimin tuaj nën kontroll dhe trajtojini kolegët në zyrë me mirësjellje. Devijimi nga kjo rrugë mund të rrezikojë punën tuaj, duke përkeqësuar kështu drejtpërdrejt gjendjen tuaj financiare. Ju mund të kaloni një darkë romantike me të dashurin/dashurën tuaj në mbrëmje.

Gaforrja
Ju do të qetësoheni dhe argëtoheni në shoqërinë e fëmijëve. Ju do të diskutoni çështje financiare me bashkëshortin/bashkëshorten tuaj dhe do të bëni plane për të ardhmen tuaj të afërt. Përpiquni të zgjidhni çdo konflikt në mënyrë miqësore, në mënyrë që të shmangni situate të tensionuara. Sot do të ndjeni mungesën e një miku të dashur.

Luani
Ka gjasa të keni një përmirësim në financat tuaja. Jepini përparësi nevojave të familjes suaj. Sot do të takoni dikë që ju do shumë. Mund të kujtoheni për diçka që e keni harruar prej ditësh.

Virgjëresha
Mos u shqetësoni për çështje të parëndësishme. Ditë e mirë për çështjet e zemrës. Kolegët tuaj me më shumë eksperiencë në punë do t’ju japin mbështetjen e tyre.

Peshorja
Mos lejoni që gjërat e vogla t’ju shqetësojnë. Kjo do të jetë një ditë më e mirë financiarisht se ditët e fundit. Do të bëni miq të rinj nëse përfshiheni në aktivitete në grup. Një mesazh i keq komunikuar mund të çojë në një ngatërresë gjatë ditës.

Akrepi
Ju do të duhet të zgjidhni një problem që rëndon në mendjen tuaj. Sjellja e çrregullt e partnerit/partneres suaj mund të prishë ndjenjën e romancës sot. Koha e duhur për të vënë në provë ide të reja. Një çështje që lidhet me jetën martesore mund të jetë jashtë kontrollit tuaj.

Shigjetari
Bëni kujdes të mos e neglizhoni veten kur bëhet fjalë për çështje shëndetësore. Romanca sundon zemrën dhe mendjen tuaj. Sipërmarrjet e reja do të jenë joshëse dhe premtojnë shpërblime të mira.

Bricjapi
Mund t’ju shfaqet një problem i papritur lidhur me paratë, prandaj përdorni me kujdes burimet tuaja financiare. Të tjerët do t’ju inkurajojnë të ndiqni ëndrrat tuaja, por arritja e suksesit do të kërkojë përpjekjen tuaj. Sot harroni shqetësimet tuaja dhe thjesht shijoni shoqërinë e partnerit/partneres suaj.

Ujori
Problemet financiare në jetën tuaj do të jenë një burim tensioni për ju. Dikush pranë jush mund të krijojë probleme në jetën tuaj personale. Do të keni kohë të lirë për të ndjekur gjërat që doni të bëni më shumë.

Peshqit
Sot nuk do të jeni shumë të duruar, por kujdes, pasi fjalët e ashpra mund të shqetësojnë njerëzit përreth jush. Ju e dini rëndësinë e hapësirës personale dhe ka gjasa të keni pak kohë për veten, sot. Përdoreni këtë kohë për të luajtur një sport ose për të shkuar në palestër.

blank

Nostalgjia e plakës – Poezi nga DRITËRO AGOLLI

Po ai sënduk i drunjtë me letër të ngjitur,
Po ajo vazo e vockël me lule zëmbaku ,
Po ai mulli kafeje me mbulesë të grisur,
Po ato tespihe – kujtim i vjetër nga plaku;
.
Jeton me këto pak gjëra e shkreta:
E prek sëndukun e drunjtë e të lashtë,
I ledhaton tespihet cipë sedefta,
E fshin vazon e vockël brënda e jashtë.
.
Dhe nusja e djalit e sheh dhe prish cepin e buzës
Me kokën e bukur mënjanë;
Vështrimin plaka e ndjen me duart kryq sipër bluzës
Dhe thotë me vete:” Po ç’kanë me mua,ç’kanë”?
1991
blank

PROMETHEU I ÇAMËRISË – Poezi nga ATDHE GECI

Le të zemërohet toka, deti dhe Greqia
Çamëria po rilindet mbi hirin pellazg
ajo e ruajti gjuhën e palat e fustanellës
simbolet e hershme të luftërave të saj.
Në Çamëri s´ka më mjerim, se Greqi
çamët përmes kujtesës së të lashtëve
mbrojnë gjuhën e shkruar nëpër gurë
mbrojnë rrënojat e monumentet e tyre.
Nga furrë e zemrës më del kjo zjarrmi
nga furra e shpirtit u lind Prometheu
ai që hirin e betejave e ktheu në prush
Përmes dashurisë i dalim zot Kosovës
përmes dashurisë i dalim zot Iliridës
përmes dashurisë i dalim zot Atdheut
Trim, para grekut shtëpinë e kam këtu
palat e fustanellës nuk i kemi pa gjak
as pa dëshmi heroike të kohërave të
shkuara, as pa fitore betejash të forta.
Çamëri, koha është të ngritemi! Me
flamurin kuq e zi ta mbulojmë Epirin
Lufta për liri s´ka fillim e as mbarim
është e çdo ditshme dhe e përjetshme
dashuri për Atdheun është Çamëria
dashuri për Atdheun jemi të gjithë;
Çamëri, jepja dorën Prometheut tënd
gjakes së flamurit dhe të fustanellës,
mblidhu shesheve si në kohërat epike
merr zjarr nga furra e zemrës, shemb
le të zemërohet toka, deti dhe Greqia
Çamëria po rilindet mbi hirin pellazg!…

Atdhe Geci – Dortmund, Gjermani, 2021

blank

Mozaik me vargje – Cikël poetik nga Përparim Hysi

1. Alternativat e ngjyrës së kuqe
I kuq është gjaku,gjenerator i jetës
I kuq është faji që skuq faqen time
I kuq është flamuri ku lidh besën
Për ta mbrojtur,nëse sulmohet “toka ime”.

I kuq është dhe trëndafili i madh i dashurisë
E kuqe është lulkkqja që mbinë nëpër ara
Por nuk ka si e kuqja që më skuq përballë fajësisë:
Ndaj këtë alternativë vë përpara.

2.Juristë!
Ju që hartoni Kodin Penal,
Mos e bëni ligjin “elastik”
Se gjyqtarët kështu bëjnë rrumpallë
E “tërheqin” dhe e”mbledhin” si të jetë llastik!

Ligjin për faje të jetë si”trup i ngurtë”
Ku keqbërësit të thyejnë të tyren kokë
Mos i trajtoni”urtë e butë”(i rrihni me pambuk)
Se keqbërësit për 5-lekë të dërgojnë në tjetër botë.

Sidomos,”i ngurtë” të jetë ligji për mbrojtjen e jetës
(Jo të lini vend “për rrethana lehtësuese?!!”)
Kush i merr jetën tjetrit,në burg tërë jetës
Dhe hiç mos ketë të drejtë për”rekurse”.

Se vetëm kështu nuk do ketë vend për vrasje
Se vetëm kështu nuk do ketë hajdutë me”kapuça”
Se vetëm kështu do ketë zero hakmarrje
Se janë ca ligje duhet të jenë të”gurta!”.

3.Peizazh

Ca re të vogla si zogj,lundrojnë në qiellin e pamatë
Një bilbil këngës ia thotë,gëzueshëm atje mbi lofatë
Një diell i madh si çyrek,ka dalë dhe vë domenin
Kjo pamje aq më prek,sa nuk e mbaj dot shendin.

Ca rosa në tufë gugasin,tek zhyten e “mbyten”në liqen
Dhe ato s’mbajnë dot gazin,se gazi i tyre më bën ujem.
Unë e sodit peizazhin dhe zë e kotem me nge
Për ju e sjell “mesazhin”,dua që ta vini re,

4.Mosha e tretë
Moshë e tretë? Me shumë kusure!
Flas e shkruaj: jam,i moshuar!
Në qe”lis”,tani je”shkurre”
Më”hejbetë” askush s’t’i varë.

Leh e leh (askush s’dëgjon)
Ngenë tënd s’e ka kurkush
Katandis si”iluzion”
Ky qendrim,me helm të mbush.

Moshë e tretë? Si një”teprim”
-Boll kullotët!- thonë të tjerë!
Mirë ta dini:s’shkruaj qesim!
Moshë e tretë? Me shpirtin vrer!

5. E vështirë rruga e POETIT

E vështirë është rruga e POETIT
Mbushur me gropa,kthesa,të përpjeta e tatëpjeta
Ndonjëherë është e mundimshme(si t’i futesh në këmbë detit)
Se nuk është hiç e lehtë të stisësh një vjershë.

Se vjershë nuk është çdo lloj vargëzimi
Një vjershë do ritëm,rimë a mesazh
Sa për vete;më thinji vjershërimi!
Dhe nuk di të them ndonjë llaf,

Poetët e mirë ngjajnë pak me”profetët”
Në kohë krizash,vargjet i bëjnë fanar
Poetët bëjnë opozitë me pushtetet
Çdo POET i mirë,tërë jetës është luftëtar.

Unë e ndjej veten mirë që jam”pakëz”poet
Me vargje tërë jetës jam opozitar
Nuk njoh pekule për asnjë pushtet
Dhe mbeta në këtë botë:ushtar!

Tiranë,22 shtator 2021

blank

Kanga X (Ferri) NJI SHTEGU T’FSHEHTË PO I HYJMË T’ASAJ LUGINE – Nga DANTE ALIGHIERI – Përktheu PASHKO GJEÇI

Kanga X

Nji shtegu t’fshehte po i hyjme t’asaj lugine,

Mes murit edhe vuejtjesh te pafare,

Mesuesi i pari dhe une fill mbas shpine.

.

“O mendje e larte, – i thashe, – ti qe me bar

nga rrethi n’rreth, si t’kande, neper ferr,

me fol, plotsome deshirat sa ma pare!

.

Nder varre a mund t’i shoh shpirtnat e djerre?

E ngritun ja tek asht seicila rrase,

Por kush perjashta koken s’e ka nxjerre!”

.

E ai m’u suell: “Ma zi kane per t’u rrase,

Nga Jozafati kur te kthejne te tane

Me trupat, qe atje siper i kane pase.

.

Varret e tyne ne kete vend i kane

Ata, qe thone me trup mbaron çdo gja

Dhe me Epikurin t’nje mendimi jane.

.

Ti sa per pyetjen, qe je tue me ba,

Ketu do marresh gjegje pa vonim,

Dhe per deshire, per t’cilen s’po ban za.”

.

E une: “S’ta fsheh per gja, mesuesi im,

Çka n’zemer kam, vec drue se per se mbarit

S’po flas, – prandej ruej tandin keshillim.”

.

“O ti toskan, qe n’per qytet te zjarrit,

I gjalle po shkon tue fole kaq me urti,

Prano te ndalesh ne kete vend ma s’parit!

.

Te folnit tand se je e ban deshmi

Nga ai vend bujar, ku leva e ku

Te cilit ndoshta i dhashe une shume merzi.”

.

Nga njani varr aty befas degjova

Tue dale ky za; ne shpirt frika m’u ngjall,

Me u struke ma fort per prisin tim fillova.

.

Por ai: “Shpejt sillu, a i ke syte ne balle?

Kqyrma ‘i here Farinaten si asht çue,

Prej belit e perpjete tek e ke gjalle!”

.

Une syte i mbaja n’syte e tij ngujue;

E ngrehe ai kishte balle e parzem, gati

Si mos ta bante mall ate ferr t’mallkue.

.

Kah pa ngurrimin tim, dueret i zgjati

E m’shtyu te ai permes varrezash, prisi,

Tue m’thane: “Ki mendjen edhe fjalet mati!”

.

Kur une te gryka e varrit qeshe, ia nisi

Me pyete, si me pat vrejte njehere idhnueshem:

“Me thuej, kush qene te paret tu nga fisi?”

.

Deshiren ia plotsova i papertueshem,

Asgja s’i fsheha, ç’pata ia thashe une,

Prandej, si i rrudhi vetullat mendueshem,

.

U suell e tha: “Burrnisht u copetuen

Me partine tone, me mue, me t’paret tane,

Por dy here rrjesht prej meje u shpartalluen.”

.

“Ne u qiten jashte, ata kthyen nga çdo ane, –

I gjegja, – te dy heret e kalueme,

Por kete fare arti tuejt s’e paten nxane!”

.

Ne keto fjale duel gropes se zbulueme

Nje tjeter hije, kryet vec iu dallonte,

Besoj se ishte ngrite e gjunjezueme.

.

Rreth meje ajo veshtroi, si te deshrote

Kend tjeter bashke me mue te shohe aty,

Por, si u kujtue se shpresa i doli kote,

.

Tha tue vajtue: “Ne qofte se ti je shty

Ne t’vertin burg per mendje aq te kthille,

Tim bir ku e kam? Pse s’erdhi ai me ty?”

.

E une: “Ketu s’po vi i vetem fill;

Ai, qe po pret, kendej m’ka ba me dale,

Guidoja yt fort nuk e pat perfille.”

.

Menyra e denimit e ato fjale

Emnin e tij sqarue ma kishin mire,

Prandej n’pergjegje s’pata pse me u ndale.

.

Vrullshem ne kambe u ngrit, keshtu tue thirre:

“Si the? S’e pat? Nuk qenka, pra, ne jete?

S’ia perkedhelka syte ma drita e dlire?”

.

Kur pa se mpijtas fare kisha mbete

E t’gjegjunit po i vinte me vonese,

Ne shpine ai ra e krye ma s’çoi perpjete.

.

Por ai shpirtmadhi tjeter, me kerkese

Te cilit isha ndale, fytyre nuk ndrroi,

Pa luejte gjymtyre, shtangue vazhdoi te jese.

.

“E pse, – mejhere ku kishte mbete filloi,

– ende ate art s’e kane kuptue te mijte,

kjo m’pervelon ma fort se ‘j strat ksisoj!

.

Por pesdhjete here, te them, nuk ka me ndrite

Fytyra e zonjes qe sundon mbi ne,

E sa randon ai art ti ke me dijte.

.

Ti shkofsh me e pa persri te amblin dhe!

Por m’thuej: pse aq e prape qyteza jone

Ndaj t’mijve bahet ne çdo ligje te re?”

.

E une: “Kerdija e rande, qe Arbjen tone

Te ngjyhej kuq nga gjaku i derdhun bani,

N’Tempull te tilla urate i shtyn te thone.”

.

Si tundi kryet e me te madhe fshani,

<<sa per ate gja, – tha, – vetem s’qeshe njimend,

e as pa arsye s’do te kish luejte kurrnjani.

.

Por une veç qeshe i vetmi ne ate vend,

Kur t’gjithe me shembe Firencen dhane pelqimin,

Qe e mbrojti me balle hape, pa drashte askend.”

.

“Ai farefisi juej e paste paqimin,

por t’lutem, – thashe, – ma zgjidhni njikete nye,

i cili ma ka lidhe ketu gjykimin.

.

Pata pershtypjen, kur t’degjova ty,

Se shihni qarte çka koha rri tue sjelle,

N’sa per te tashmen s’dini me rrefye.”

.

“Na jemi sikur ai, qe sheh vec thelle

ne largesi, jo afer, – tha atbote,

– kete t’mire e kemi ende nga i larti qjell.

.

Per ç’asht e ç’jven fill pas orvatje t’kote

Ban mendja jone; sikur mos te na bjere

Lajme ndokush, na s’dijme se ç’ndodh ne bote.

.

Prandej ti e sheh se do te vdese mejhere

Çdo fuqi njohtje qe sot kemi, kur

E s’ardhmes ka me u mbylle e madhja dere.”

.

At’here une, tue e ndi vehten fajtuer,

Thashe: “M’i tregoni atij, qe aty ra,

Se i biri gjalle asht prap si e la dikur;

.

E n’qe se kur me pyeti s’bana za,

Shpjegoja se me mend ishe tue blue

Dyshimin tim, qe ma sqaruet tashma.”

.

Nderkaq mesuesi prane me grishte mue;

Prandej iu luta une shpirtit te gjore

Shkurt te me thesh me te ke kane gropue.

.

M’u gjegj: “Ma se njemije qendrojne ne zgore,

Ketu mbrende ke ate Federik’n e dyte

Dhe Kardinalin; s’flas per tjere mkatnore.”

.

Kaq tha e vrik m’u zhduk at’here nga syte;

E u solla kah poeti i lashte, n’mendime

Per t’ashprat fjale qe ma trullosen kryet.

.

Ai n’ecje u vu; tue m’pa kaq nder trazime,

Me pyeti: “Pse keshtu te ka humbe filli?”

E une mejhere ia dhashe pergjigjen time.

.

“Kujtesa jote le ta rueje mirfilli

ç’tha kunder teje, – foli prisi i larte.

– Tani mbaj vesh! – E gjishtin çoi kah qielli. –

.

Kur te arrish atje te drita e arte

E asaj, qe me sy t’ambel vren gjithsine,

Udhen e jetes do ta shohish qarte.”

.

Pastaj nga krahu i majte vazhdoi shtegtine;

Lame murin, shkuem kah mesi, ku kalonte

Nje rruge, qe kryet e qet tej ne lugine,

.

Ku keqas qelbesina kundermonte.

blank

Kanga IX (Ferri) DUKET SE KREJT UNË ISHE ZBÉ PREJ FRIKËS – Nga DANTE ALIGHIERI – Përktheu PASHKO GJEÇI

Kanga IX

Duket se krejt une ishe zbe prej frikes,

Prisin kur pashe tue ardhe me aq trishtim,

– Iu desh pra atij me u shfaqe i qete nje cikez.

.

Vesh-hape qendroi, si ai qe rri n’pergjim,

Kah s’mujte syte me ngule tej ne rremoren

Mes mjergulles e ajrit te zi shqim.

.

“E pra duhet ta kemi na fitoren,

– tha ai, – perndryshe… Kot ajo s’ka zbrite…

Ç’po vonon ai qe do na japi doren!”

.

Une qarte e pashe se i ndrroi fjalet paprite,

Ndryshe ia nisi, por s’e kreu njelloj,

Ne kundershtim me çka kish peshperite.

.

Por fjala e fundit prap s’me trimenoi,

Me shtynin ato thanie me zane bese

N’diçka, qe ndoshta ai as qe e mendoi.

.

“Ne fund te kesaj zgavrre a mund te zbrese,

valle, ndonje here ndo’j shpirt nga rrethi i pare,

qe vec shpresen e humbun ka pendese?”

.

Kete çeshtje ngrita une. E ai: Ma pare

Rralle ndonje shpirt prej nesh ke mujte me ndeshe,

Qe te kete ra kendej si shtegetar.

.

Asht e vertete, here tjeter ketu qeshe,

Nga e egra Eritone i perbetuem,

Qe t’vdekunit nga varri çonte peshe.

.

S’kish shumqe shpirti trupit m’qe larguem

E ajo mbrenda qytezes me pat shti

Me nxjerre nga rrethi i Judes nje t’denuem.

.

Ai asht vendi ma i ulet dhe ma i zi,

Ma i largeti prej qielles rrotulluese,

Pra mos u step, se rrugen mire e dij.

.

Kenet’n e turbullueme, qelbesuese,

Gjithkah qyteti i dhimbjes rreth e ka,

Mbrende s’mund te hyjme na pa fuqi dermuese.”

.

Nuk e mbaj mend cka foli edhe ma,

Se ethshem syte e mij filluen me vrejte

Te larten kulle me kreshten flakada,

.

Ku ne te njajten pike u ngriten drejte

Na tri Furi sketerre la ne gjak,

Pamje e sjellje temne kishin krejt,

.

Me hidra t’gjelbera rreth trupit lak;

Gjarpij ne vend te flokve u vlojne perore

Mbi tamtha t’idhun lidhe e zanun njak.

.

E ai, qe mire i njohu ato sherbtore

Te mberteneshes se t’amshuemit vaje,

“keqyr, – me tha, – Erinet shpirtmizore!

.

Megjera asht kjo, qe ne te majten ndaj;

Deneska ne te djathten Alektoj;

Ja Tesifona n’mes!” Heshti pastaj.

.

N’parzem ato lenureshin me thoj,

Rrahnin shuplake tue brite me aq potere,

Sa frika prane poetit me afroi.

.

“Te vija Meduza! Le ta bajme mermer!

– thrrisnin te gjitha bashke poshte tue keqyre.

– Gabuem qe e lame pa dnim Tezene at’here!”

.

“Shpejt sillu pas e duert mbaj ne fytyre;

Grogonen po ta shohesh tue qite kryet,

Gja me s’te kthen ne t’bukuren natyre!”

.

Keshtu me tha, e u solla vete i dyte;

Nuk u zu bese duerve te mija; tute,

Shpejtoi me t’vetat te m’i mbyllte syte.

.

O ju qe keni mendje te kulluet,

Kundronie mire doktrinen me syte tuej,

Nen vargje te mistershme rrin mbuluet!

.

Vinte nderkaq mbi te turbulltin uje

Nje krizme e nje potere, qe kallte frike

E dridheshin dy brigjet n’ate rremuje,

.

Jo ndrysh vec si rreh era me vertik,

Kur avujt kundershtare ndeshen mbi dhe,

E pyllin fshik pa e ndale frymen nje çike,

.

Shkyen deget, i rrezon, i hjedh perdhe

Dhe can shtellunga-pluhun e krenare,

N’ikje tue vu bari edhe shkerbe.

.

“Ço ballin, tha, kur syte m’i liroi fare,

– e shih mbi t’lashten shkumbe, ku asht ma e thuket

tymnaja qe mbi pellg ndehet mujshare.”

.

Sikur bretkosat, sa mes tyne duket

Bolla, te gjitha fshihen n’uje nga tmera

E thelle ne llum seicila shkon e struket,

.

Keshtu une pashe me mija hijesh t’mjera

Tue hike perpara njanit, qe kalonte

Stigjes, po kambet krejt i kish te tera.

.

Ate ajr te zi fytyret e largonte,

Para tue çue te majten tash e pare;

Dukej se tjeter brenge s’e shqetesonte.

.

Po, ishte ai, – i qiellit lajmetar

Kah prisi une u solla, me shikim

M’tha qete te rrij, nderueshem, koken vare.

.

Sa fort me ngjante i mbushun me zemrim!

Mbrrijti te porta e me nje thuper n’dore

E çeli fill, pa gjete asnje pengim.

.

“Shpirtna t’keqij, ju te debuem qiellor,

– filloi te praku i zi qe te kall date,

– ç’me rrini kryekecyem, more te gjore?

.

Pse doni me deshir’n e larte me u mate?

Me kot e pat kushdo ne rruge i duel;

Si vuejtjet ju a randoi, sa here e pate!

.

Ç’ju vlen qe fatit s’doni m’iu perkule?

Cerberi juej, ne se mire e kujton,

Per pandigjesen mbet me mjekrren zhgule.”

.

Dhe u kthye ne rrugen pis; e kah kalon

Aq qe na flet; ne paraqitje ngjan

Si ai, qe kujdes tjeter e mundon

.

E nuk ka sy per çka i ndodhet prane;

Atij qyteti nisem me iu qase,

Mbeshtete ne fjalet shenjte qe kish thane.

.

Dhe hyme atje, pengese kurrkund pa hase;

Kah kishja me shikue deshire te madhe

Se ç’ndodh, ç’mundime ka mbrenda kalase,

.

Syte anekand i solla n’ate kala dhe

Perpara meje u shtri nje hapesine, –

Vec vuejtje t’randa kish asaj germadhe.

.

Si n’Arl, ku ujte e vet Rodani shtrin,

Si dhe ne Pole, atje perbri Kuarnari,

Qe lag e ast kufi per Italine,

.

Gjithe vendin larmojne varret andej pari, –

Ashtu krejt gropa-gropa ish ai rrah,

Vecse denimi atje ish ma barbari;

.

Se neper varre vlonin flake gjithkah

E aq teper ato zgore ndezun ishin,

Sa zjarr ma shum s’do hekri per me u rrahe.

.

Rrasat e tyne n’kambe mbi krye u rrishin,

Shperthente nga ato gryka britme e gjame,

Flaka te mjereve u digjte mishin.

.

“Mesues, kush jane keta, thashe, qe t’shperndame

gjinden nder keto zgavrra skuqun prush

e bajne keshtu nga dhimbjet tue ofshame?”

.

E ai: “Gjithe hereziarket njikjo fushe

Me ndjekes te çdo sekti i ka mbeshtjelle,

Sa s’ta merr mendja varret plot jane mbushe.

.

I ngjashmi me te ngjashmin n’grope asht thelle,

Varret si te jete faji jane te zjarta.”

Pastaj, nga e djathta si filluem me u sjelle

.

Kaluem mes vuejtjesh dhe muresh te larta.

blank

FENIKSI I ÇAMËRISË – Hymn për Çamërinë nga poeti Vullnet Mato

Era e fortë e lirisë së këtij mileniumi,
ndezi në Hagë yllin e sinjalit të blertë:
Gjaku i martirëve të zgjohet nga gjumi,
Feniksi i Çamërisë të ngrihet nga hiri i vet.

Psherëtinë thellë eshtrat ndër varre,
bubulluan kudo muret nën rrënoja,
oshtinë rënkimet dhjetëra vjeçare,
oxhaqeve me blozë, u erdhi goja…
Çelën lastarë trungjet e prerë të ullirit,
shpirtrat e nënave rindezën vatrat,
zërat e therur të foshnjave të gjirit,
shkundën pendët e Feniksit nga baltërat.
Osman Taka u ngrit për vallen e vjetër,
në dosjen e krimeve, fustanella me dritë,
kishte dyzet palë, të qepura në letër,
për të kërcyer i lirë, pa litar në grykë…

Bubulina bubulloi përmes reve të zeza,
Nga Gumenica në Filat e tej Paramithisë,
Lumi Kalana*, nisi deri tutje nga Preveza,
t’i këndojë me valë, këngën e trimërisë.
Gjin Bua Shpata e Mërkuri, heronj luftëtar,
pastruan shpatat nga millet e ndryshkur,
dhe filluar mbi gurët e Çamërisë së parë,
shekujve të shkuar t’u kruajnë myshkun.

Hasan Tahsini i madh e Marko Boçari,
grisën thëniet e rreme në faqet e historisë,
me prova shkencore dhe medaljone ari,
kërkuan emrin e vërtetë, bij të Çamërisë.
Haxhi Mehmet Dalani shkuli emrin, Mihal,
ndërruar në libër, nga Kazanzaqi romancier,
duke thirrur, sa tundi shkëmbinjtë në mal:
Emrin çam, brez pas brezi, e kam për nder!…

Dodona Pellazgjike u zgjua nga shekujt,
dhe gjëmoi me zërin shkëmbor të rëndë:
në tempullin e mermertë, urdhëroi dishepujt:
Bijtë e Çamërisë të kthehen në vatanin tënë!
Bilal Xhaferri shkroi vargun e ri në rrugë:
për të gjithë muhaxhirët, strehuar në Veri:
Erdhi koha të kthehemi përsëri në Jug,
Mirë se të gjejmë, o nëna jonë, Çamëri!.-

Hymën nga Vullnet Mato

e postoi, Atdhe Geci

 

blank

ARRATISJA – Tregim nga HAMIT TAKA

 

 

Shkova te dritarja nga lindja, e hapa dhe vështrova jashtë. Ishte një ritual ky që nga fëminia e hershme. Ja tek ishin dy krahët e shtëpisë së vjetër dyktëshe, ja tek ishte kopshti i qëndisur me perimet e stinës, ja tek ishin rrethinat e vendlindjes, ja tek ishte horizonti pjesërisht kodrinor e më shumë malor! Syri im i kaloi të gjitha objektet, për të pushuar tek ato më të largëtat, majat blu, ato që unë digjesha t’i kapërceja. Ndoqa me sy udhën e bardhë që gjarpëronte rreth këmbëve të malit nga lindja dhe zhdukej në një grykë midis dy majave, ku ndaheshin ujërat e shirave në dy shtete fqinje. Sa dëshirë kisha ta ndiqja edhe më tej atë udhë! Por tani ishte bërë gardhi i telave me gjëmba, i cili quhej klon.

M’u kujtua koha kur isha fëmijë. Sa herë ishim ngjitur e zbritur me shokët asaj rruge në ag e në mug, për të kapur diellin e hënën, sapo të nxirrnin kokën tek ajo qafa e malit. Tani më duket sikur ka kaluar një shekull nga ajo kohë e bukur plot ëndërra dhe imagjinatë.

Me që e përmenda, nuk e di ende sesi dhe pse, ideja makabre për ta rrethuar vendin me tela me gjëmba, sikur të ishte një kopësht zoologjik, u emërtua “klon”. Nga dijet e mia të kursyera në gjenetikë, në këtë disiplinë të dijeve njerëzore, “klon” quhet një grup qelizash, që veçohen prej të tjerave në laborator, me qëllim që të mbahen të pastra, pa u përzier. Pra, lumturisht, kjo fjalë, po ashtu si edhe fjalët internim((ital. interno = futeshin brënda) e syrgjynim (turqisht=syrgjynoseshin) nuk i takojnë gjuhës që më mësoi nëna dhe kjo gjë është në nder të gjuhës shqipe.

Atë mëngjes, kur meditoja te dritarja, kishin kalur tetë vjet, që, gati dhjetë muaj të vitit, i kaloja në një konvikt kooperative, larg vendlindjes sime. Rregullat, detyrat, zakonet, idetë, zërat, fytyrat, frazat, normat, parapëlqimet dhe antipatitë e shkollës – vetëm kaq dija unë nga ekzistenca. Ama brenda një pasditeje u lodha nga rutina e tetë viteve. Dëshiroja liri. Gulçoja për liri. Gati shqiptova një lutje për liri, e cila u duk sikur u përhap në erë dhe u shua prapë. Hoqa dorë prej saj dhe i dhashë formë një lutjeje më të përulur për ndryshim: sikur të më dilte e drejta e studimit për agronomi, me që bujqësore ishte shkolla ime e mesme. Por edhe ajo kërkesë u duk sikur u shua vagëllimthi në hapësirë. Kjo nuk mund të ndodhte, pasi mesatarja notave të mia ishte shumë e ulët. Gjithmonë kisha menduar: hë, mo, se do të bëhem një brigadier në fshat. “ Atëherë, – thirra pothuaj me dëshpërim, – më dhuro një robëri të re!”

Në këtë pikë dëgjova zërin e nënës nga poshtë për grënien e darkës. Nuk mund t’i kthehesha rrjedhës së ndërprerë të mendimeve të mia derisa erdhi ora e gjumit. Edhe atëherë gjyshi, unë flija në dhomën e tij, më largoi nga mendimi, të cilit doja t’i rikthehesha, me një shfrim të zgjatur këshillash të kota. E kishte nga meraku dhe dashuria. Sa do të doja ato çaste që gjumi t’ia mbyllte gojën! Më dukej se po t’i kthehesha idesë që kisha pasur në mëndje, kur po rrija pranë dritares, do të më shfaqej ndonjë këshillë e ndritur që të më lehtësonte. Më në fund gjyshi nisi të gërhiste. Ai ishte trupmadh dhe deri atëherë zhurmat e tij të zakonshme hundore nuk i kisha konsideruar, veçse bezdi, por atë natë i përshëndeta me kënaqësi notat e para e të thella. Shpëtova nga ndërprerja. Mendimet e mia gjysmë të harruara u gjallëruan në çast.

“Një robëri të re! Ka diçka të mirë këtu! – thashë me vete(me mëndje, kuptohet, nuk fola me zë të lartë). – E di që ka, sepse nuk më tingëllon tepër ëmbël, nuk është si fjalët liri, emocion, gëzim. Tinguj të këndshëm vërtet, por veçse tinguj dhe aq të zbrazët e fluturakë, sa për mua është thjesht humbje kohe t’i dëgjosh. Por robëri, kjo duhet të jetë diçka konkrete. Kushdo mund të jetojë. Unë kam jetuar 18 vjet këtu. Tani dua vetëm të jetoj gjetkë. A nuk kam të drejtë ta plotësoj dëshirën time? Nuk mund të realizohet? Po, po, qëllimi nuk është edhe aq i vështirë. Sikur të kisha një tru më aktiv, sa të zbuloja mjetet për t’ia arritur”. U ngrita ndenjur në shtrat që të vija trurin në punë. Ishte një natë e ftohtë. Hodha një batanije krahëve dhe vazhdova të mendoja sërish me të gjitha forcat. “Çfarë dua unë?… Një vend të ri, mes fytyrash të reja, në rrethana të reja. E dua këtë se nuk ia vlen të dua ndonjë gjë më të mirë. Dua vetëm të zvilloj talentin tim për të pikturuar. Si ia bëjnë njerëzit për të realizuar këto synime? U drejtohen miqve, besoj, por unë nuk kam miq. Ama ka shumë të tjerë, që nuk kanë miq, por që kujdesen dhe e ndihmojnë vetë veten. Si ia bëjnë?”

Nuk dija ta thosha. Nuk gjeja përgjigje. Urdhërova trurin tim ta gjente sa më shpejt një përgjigje. Truri punoi dhe punoi me shpejtësi. Ai nxorri nga arkiva një element të rëndësishëm, por…

Në klasën e pestë e të gjashtë, ju rikujtoj se që në klasën e pestë isha në një konvikt kooperative, mbaroja shpejt mësimet dhe pastaj riprodhoja në çfarëdo flete të bardhë portretet e shkrimtarëve dhe shkencëtarëve nga librat mësimorë. Vizatimin na e bënte një mësuese e vjetër, që nuk ia thoshte për atë punë. Ato riprodhime portretesh ajo i quante kryevepra të miat. Dikur na erdhi një student, i cili vazhdonte shkollën e lartë për pikturë dhe do të bënte praktikën mësimore në shkollën tonë. Nuk ishte fare simpatik dhe dukej i hallakatur, por kur pashë sa shpejt e sa bukur vizatonte në dërrasën e zezë, e admirova.

Një ditë praktikanti më tha se kisha prirje për pikturë, por duhej shkollë e shumë punë. Bile më rekomandoi mos t’i kopjoja nga librat, por të bëja vetë portrete njerëzish të gjallë.

– Çfarë mund të bëj unë? – e pyeta.

– Bëj portretin e një gruaje të njohur me veshje karakteristike, – më këshilloi.

Pas një jave i dorëzova portretin e realizuar me aq gëzim, por edhe me droje.

– Po kjo është mësuese Bardha, – më tha piktori dhe ma mori kokën nën sqetull. – Unë të thashë. një grua me një portret tipik e veshje që përfaqëson krahinën tuaj.

– Po në krahinën tonë ka shumë raca, – ia ktheva unë, – labë, minoritarë, çamë, evgjitë…

– Komunitete, – më korrigjoi praktikanti, – jo raca.

Unë ende s’e dija ç’ishte komuniteti dhe se evgjitët quheshin romë.

– Pikturo një grua nga fisi yt, një gjyshe, përshëmbëll, – më rekomandoi dhe më rrahu shpatullat.

Ashtu bëra, realizova portretin e gjyshes sime. E detyrova të vishej me takëmet tradicionale, që i ruante në sepetin e saj të nusërisë. Praktikantit i pëlqeu shumë dhe e vuri në ekspozitën e vizatimeve më të mira të shkollës.

Atje para stendës së punimeve më të mira të shkollës, praktikanti minoritar më tha ca fjalë, që m’u ngjitën e s’më shqiteshin nga mendja:

– Të ishe në ndonjë vend tjetër ti, do të bëheshe piktor i dëgjuar.

– Ku, në Tiranë? – e pyeta me kureshtje.

– Edhe në Tiranë, por e kisha fjalën për në Europë apo Amerikë, – m’u përgjigj ai.

Ja, pra, kjo ishte përgjigjja që kërkoja unë nga truri. Dhe fillova të mendoja se si ta realizoja. Pasi u mendova gjatë dhe arrita në përfundimin: një vend i ri, fytyra të reja, rrethana të reja, ka vetëm një rrugë-të arratisesh, të çash ferrën, domethënë klonin.

Kloni ishte një murë me tela të ashpër e me gjëmba, i ngritur në formën e një perdeje vertikale të hekurt, mbi dy metra e lartë, mbështetur në shtylla betonarme. Kloni nuk ishte ekzaktësisht në vijën e kufirit por, më brënda tij, këtej piramideve, domethënë në tokën shqiptare. Në të dy anët e klonit ndodhej i ashtuquajturi brez i butë, që ishte një rrip toke vërtet e butë, e punuar freskët, një brez pra me gjërësi 4m në secilën anë të klonit, me qëllim që të mbeteshin në të gjurmët e atyre që do të kalonin kufirin, për t’u arratisur. Ky rrjet teli ushqehej me rrymë elektrike e cila kish dy qëllime: së pari, të godiste dhe të linte në vënd madje edhe ta karbonizonte, këdo që do të tentonte të arratisej dhe, së dyti, të jepte alarmin në postën më të afërt kufitare. Përveç kësaj, përgjatë klonit patrullohej nga ushtarët e kufirit, të cilët ishin të paktën dy për çdo patrullë, që të kontrollonin edhe njëri-tjetrin. Kontrollonin të armatosur me kallashnikovë, dylbi dhe me një qen të stërvitur, shtatlart dhe agresiv, i quajtur prej popullit “qen kufiri”. Një shoki im  quante, cerberët e kufirit, ruajtësit të botës së të vdekurve në mitologji.            Për ditë të tëra po më mundonte kontrasti mes idesë dhe mundësive të mia, domethënë punës që duhej të bëja. Atëherë më erdhi në mend se edhe unë kisha një mik, i cili mund të më ndihmonte. Ai ishte një ushtar i kufirit, me të cilin takohesha shpesh dhe kisha pikasur ngjashmërinë e mendimeve dhe ëndërrave. Ndonëse, në përgjithësi ushtarët e kufirit ishin nga fshatrat më të thella të vendit, shoku im ishte ndryshe. Atij i vlonte zemra nga dashuria për vajzën e komisarit dhe dikur më kishte thënë se ishte gati ta rrëmbente dhe të kalonte kufirin natën. Pra dija dikë, jo një po dy, që kishin idenë e arratisjes. Pas shumë arsyetimesh e hezitimesh, herë-herë naive, vendosa t’i hapem.

– A e ke sprovuar veten se e do aq shumë bijën e komisarit, sa mund të arratisesh me të? – i thashë një ditë papritur. Më vështroi si i habitur.

– Po, – më tha pas një ngurimi.

– Unë mendoj se është e pamundur të arratisesh, – thashë në mënyrë provokuese.

– E ke gabim. Një kufitar mund të arratiset shumë lehtë, – ma ktheu.

– A di ndonjë rast konkret?

– Disa.

– Po një civil? – e pyeta dhe vet iu përgjigja, – besoj e pamundur.

– Pse pak janë arratisur nga kufiri? – m’u përgjigj me kundërpyetje.

Ngrita supet.

Pasi heshtëm ca, ushtari më tha:                                                                                                                     –

Të ka shkuar ndonjë herë në mend të arratisesh?

– Po, – iu përgjigja. Vetëm një herë.

– Kur dhe pse?

– Kur më ka lindur një ëndërr, të provoj një robëri tjetër dhe të bëhem piktor i madh.

Pas një pauze të gjatë dhe të rënduar, kur të dy dyshonim mos provokonim njëri-tjetrin, ai më tha:

– E ke seriozisht?

– Po.

– E ke marrë vendimin?

– Jo akoma. Por mund të përgjigjem, po.

– Atëherë bëhu gati, – më tha dhe iku .

– Prit, – i thashë edhe i habitur edhe i trembur. Ishte budallallëk të mos dyshoja, kur qarkullonte thënia: dysho dhe te rrobat e tua. Por më tepër prisja ndonjë parashtrim të versionit të tij dhe sa do të më dukej bindës.

Pas dy muaj heshtjeje, pa u takuar me të, kur shpesh më shkonte mëndja te GAZ- 51 i degës së punëve të brendëshme, ushtari i kufirit m’u afrua dhe më tha: “në mbrëmje vonë të pres te kroi” dhe iku sërish pa më përshëndetur. Ashtu bëra. Në mbrëmje shkova te kroi, ku bëja sikur do të mbushja ujë. Edhe ai erdhi me dy bidona për ujë. Bëmë si dy të rinj moskokëçarës, ku rafsha, mos u vrafsha, dhe, sikur bënim qyfyre, midis tyre ai më tha: Filluan shërbimin ushtarët e rinj, tani është situatë e përshtatshme. Nesër do të ruash fshehurazi te posta deri sa të shikosh patrullën time. Kur të jap komandën: “Armë mbush!”, pa rënë në sy, shko fshihu nëpër shkurre afër urës së klonit te mulliri i vjetër.

Pastaj bëmë ca sikur bënim hoka dhe u ndamë.

Njëzet e katër orë, jo që nuk mbylla sy, por isha gati në gjëndje aluçinante. Për çfarë nuk dyshoja, për çfarë nuk mendoja, kurthe, arrestime, dhimbje ndarjesh e frikë për jetën time, për pasojat e ushtarëve të patrullës dhe familjes sime. Dy fjalë godisnin si varre në trurin tim: shkoj, nuk shkoj…

Të nesërmen, i fshehur diku nga familja, nga shokët, kur zemra dhe shpirti ishin pezull, truri i mpirë, fjala e fundit, që goditi, ishte shkoj….

Rreth orës gjashtë e mbrëmjes, komanda e forte, “armë mbush” ishte për mua.

Me një çantë të vogël nën sqetull, ku kisha më tepër sende mashtruese se të dobishme, zura vend në ca shkurre, pranë një përroi të vogël, ku kloni kalonte mbi një urë betoni dhe nën të ishte një deriçkë e mbyllur me një rrjetë hekurash të trashë dhe dy dryna të mëdha. Ishte fare e vogël, sa, po të hapej, mund të kalonte vetëm një njeri i përkulur. Eh, isha në moshën kur njeriu e merr rrezikun në sy, por, kur dëgjova hapat e patrullës, më kaluan mornica të akullta e drithërima në tërë trupin.

Besniku(deri atëherë nuk ia kisha përmendur emrin mikut tim ushtar as në familje as me shokët, sikur s’kisha njohje të thellë me të), si pëgjegjës patrulle, hapi portën e hekurt dhe kaloi ushtari i parë. Pas gati pesë minutash të mërzitshme, që m’u dukën dhjetë muaj, kaloi ushtari i dytë. Pas po aq minutash duhej të kalonte përgjegjësi i patrullës, i cili do të mbyllte dhe portën. Këto ishin rregulla të shërbimit kufitar. Kalo, më tha ai me zë të shuar. Kalova deriçkën i përkulur, gati pa frymë dhe ndjeva leshrat e kokës si tela të tendosur. Në qënien time kacafiteshin frika, pendesa dhe dhimbja për gjithçka që lashë prapa. M’u duk se isha hedhur në një univers tjetër. Gjithësa kisha dëgjuar për vendin fqinj ma përshkuan trurin dhe u ndjeva sikur isha para dyerve të ferrit. Por, kur dëgjova pas meje zërin e mbytur e përgjërues të Besnikut “kujdes shpirt!”, ktheva kokën dhe gati u hodha përpjetë nga çudia e frika, kur njoha në errësirë bukuroshen e komisarit. Ama kjo më dha ca kurajë, pasi e kuptova se në aventurën time nuk do të isha vetëm.

Rreth 500 metër larg klonit unë dhe e bija e komisarit do të ecnim sipas një rregulli të kufitarëve, duke vënë këmbën në të njëjtin vend dhe në të njëjtën kohë me ushtarin para, domethënë ne do të ndiqnim me vëmendje maksimale gjurmët e përgjegjësit të patrullës. Kështu, dukej e çuditshme, por tre hapat tanë njësoheshin në një të vetëm. Në kohën që kufitarët u vendosën në vendin e patrullimit, krah njëri-tjetrit dhe në distanca të caktuara, ne dy të arratisurit u shtrimë në tokë. Besniku kishte hartuar një farë kodi, që ia trasmetonte të dashurës së tij me anë të një fije filispanjë, që ia kishte lidhur te dora. Sigurisht ai e kishte përpunuar planin me detaje.

Falë dy kufitarëve të rinj, të cilët dukej sheshit se kishin shumë frikë, sa shpesh afroheshin pranë përgjegjësit më pak se distanca e caktuar. Besniku, me përvojën e tij, bënte ç’ishte e mundur për të ngjallur dyshim tek ata, se diku mund të lëvizte ndonjë shkelës kufiri, por të mos kishin frikë se ushtari i vjetër dinte ta zgjidhte situatën. Kjo i frikësonte edhe më shumë dy djemtë 18-vjeçarë. Pastaj u thoshte se mund të lëviznin edhe shpendë apo shtazë, që natën ngjasonin krejt si njerëz…

Deri pas mesnate, qëndruam në heshtje dhe prisnim çfarë kishte sajuar Besniku, i cili vigjilonte midis dy ushtarëve të rinj. Pranë meje dëgjova një klithmë të mbytur. Ushatri i ri në krahun tonë kishte dëgjuar një zhurmë para fytyrës së tij dhe ishte tmerruar. Pa vetëdije ai u afrua pranë Besnikut. Hajde, rri në vendin tim, në mes dhe mos u tremb, se mund të jetë ndonjë dhelpër, ujk apo çakall, i shpjegoi përgjegjësi i patrullës. Ra mbi ne një heshtje e frikshme. Pas pak Besniku tërhoqi fillin, që do të thoshte se fillonte lëvizja. U nisëm këmba-doras unë e bukuroshja e komisarit dhe ecëm disa metra, duke imituar kafshët. Ndërkohë Besniku u thirri ushtarëve të rinj: Mos u trembni! S’është asgjë, ndjeva aromën e një çakalli… Pasi ne ishim larguar disa metra, prapa shpinës pamë një fashë drite, që harkoi në drejtim të kundërt me kufirin. Ishte një granatë gjurmëlënëse, të cilën Besniku e hodhi gjoja për t’u dhënë kurajo dy shokëve të rinj. Para syve dalluam piramidën, që shënon kufirin fizik midis dy shteteve. E kapërcyem me vrull atë dhe u futëm në një shkurrnajë, kurora e dëndur e të cilës nuk do të lejonte as dritën e diellit të depërtonte. Por ajo nuk i mbulonte dot krismat e breshërisë së automatikut. Dy ushtarët e rinj kishin dhënë alarmin, për t’u dëgjuar në postën kufitare, se në zonën e shërbimit të tyre kishte shkelje të kufirit. Në çast erdhi nga larg një buçimë e thellë krismash. Ishte përgjigjja se sinjali u kap në postën kufitare dhe në çast do të ngrihej gjithë kufiri në këmbë. Të dy, unë dhe vajza e re, iu ngjitëm pas trupit Besnikut. Ai e dinte se tej piramidave nuk shkelte këmbë kufitari shqiptar. Jepuni këmbëve, na tha ai dhe kapi për krahu vajzën e adhuruar, e cila dridhaj nga emocionet e frikës dhe vrasjes së ndërgjegjes                   – S’ka kohë për t’u menduar e frikësuar. T’ua mbathim këmbëve se jemi në tokë të huaj dhe askush s’ka të drejtë ligjore të kalojë piramidat kufitare, problemi i vetëm është të hyjmë sa më thellë, sa të mos na kapë plumbi, i cili nuk do t’ia dijë për ligjet kufitare, – na shpjegoi Besniku.

Tej kufirit, pra, në tokën e shtetit fqinj, Besniku hoqi rrobat ushtarake, nën të cilat kishte veshje civile. Ne ndiqnim gjurmët e tij. Filloi të mugullonte dita e parë në vendin e huaj. Pastaj ecëm drejt një godine, që, siç na tha Besniku, ishte posta e shtetit armik. Para na dolën dy ushtarë, pa uniformën e rregullt. Ata iu drejtuan shkelësit të kufirit që na printe. Besniku na kishte porositur të mos kishim frikë, se nuk ishte ashtu si na thonin në vendin tonë. Por vetëm unë kuptoja pak gjuhën e tyre, se kisha bashkëjetuar tetë vjet me shokë minoritarë në konviktin e kooperativës. Pëktheja copa-copa e vende-vende pyetjet e tyre dhe u jepja përgjigje të çala si më vinin në çast…

Nuk na pritën me lule, por nuk na munduan, siç mendoja unë, bile në postën e tyre na shërbyen nga një kafe në filxhanë të mëdhenj dhe na dhanë për të grënë. Me vajzën u sollën me shumë xhentilencë. Gjatë kohës që hanim nga ana e tyre kishte një lojë fjalësh, si ironi, si humor, si tallje apo përbuzjeje, që dukej se luannin me nervat tona: “Nga ana juaj është parajsa, ë! Nga ana jonë ferri, ë! Andej nga ju dritë, këndej nga ne, natë, ë!… Ne vuajmë për bukën e gojës, ju hani me lugë floriri, ë! Neve na mungojnë të drejta më elementare, ju i gëzoni të gjitha liritë nën diktaturën e proletariatit, ë?!… Ha-ha-ha!

Mirëpo desh na e prishi lojën fare Besniku, kur më tha mua nën zë: e thuaj që nuk kanë spiunë e agjentura pastaj! Këta i dinë të gjitha ç’themi ne, bile edhe sa lugë kemi në shtëpi. Njëri midis ushtarëve, që me sa dukej ishte përgjegjësi, kuptoi fjalën “spiunë” dhe më kërkoi me këmbënglje t’ia përktheja saktë, por unë përtypesha se nuk dija as të përktheja mirë e as të katranosja ndonjë shprehje, për ta qetësuar. Pas një hutimi e hezitimi, iu përgjigja: Më thotë që t’ju bind juve se nuk jemi spiunë të qeverisë…. Ëhë, ndaksi*, ia bëri ushtari.

Ama mëvonë u bindëm edhe ne se të drejtat dhe liritë e njeriut atje ishin në themelet e sistemit të tyre, ndërsa ato tonat ishin të masakruara fare.

Ja kështu u arratisa nga vendi im. E ardhmja e Besnikut dhe e vajzës së komisarit ishte shumë më e mirë se ç’e mendonin ata. Fakti që u prezantuan si një farë Romeo e Zhulieta, u dha favore, duke i sistemuar në një hyrje brenda në kryeqytetin e vendit. Po ashtu i sistemuan edhe në punë…

Unë ndoqa një kurs pikture dhe u bëra piktor, por nuk ndihesha i kënaqur me rezultatin e punës sime të zellshme. Më mundonte kontrasti midis idesë dhe punës sime. Në çdo rast përfityroja diçka që më dukej se isha krejt i pafuqishëm ta bëja.

Një piktor i madh i atij vendi, tek i cili mora mësimet e fundit, më thoshte:

Keni arritur ta jepni hijen e mendimit tuaj, por ndoshta jo më tepër. Nuk keni aftësi dhe njohuri të mjaftueshme artistike, për ta dhënë plotësisht, e megjithatë, për një fillestar, vizatimet tuaja janë të veçanta. Sa për mendimet ato janë të fshehta. Këta sytë e kësaj vajzës duket sikur i keni parë në ëndërr. Si keni arritur t’i bëni kaq të qartë dhe njëkohësisht aspak të ndritshëm? Duket sikur një re mbi të ua shuan dritën. Dhe çfarë kuptimi ka thellësia e tyre solemne? Po kush ua ka mësuar të pikturoni erën? Në qiellin tuaj dhe në majën e kodrës shihet një stuhi e fortë. Ku e keni parë Latmosin? Nga se ky Latmosi** është këtu? Mos kjo është piktura e ndonjë aventure tuaj?…

Mos të kisha ndërmarrë atë aventurë, nuk do ta kisha kuptuar kurrë, ç’është Atdheu dhe nuk do ta kisha dashur kaq shumë sa e dua sot, që është i lirë.

* në rregull

** Latmos-i, Mal në legjendat greke, ku një perëndeshë ra në dahuri me Endimionin…


blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
Send this to a friend