GJKKO ka vendosur t’i japë mundësinë ish-Ministrit të Mjedisit, biznesmenit Lefter Koka që të marrë trajtim mjekësor edhe jashtë mjediseve të paraburgimit për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, sa herë të jetë e nevojshme. Jo vetëm në QSUT, por edhe në qendra të posaçme.
Koka kërkonte masë më të butë sigurie, ndërkohë që ndaj tij është në fuqi edhe një masë tjetër, “arrest me burg” për inceneratorin e Fierit.
Koka u arrestua më 14 dhjetor me urdhër të SPAK. Ndaj tij janë 2 masa ‘arrest me burg’, për inceneratorin e Elbasanit dhe atë te Fierit.
Ndërsa të premten, GJKKO rrëzoi kërkesën e Kokës për heqje të masës së sigurisë për inceneratorin e Fierit.
SPAK pretendon se Koka ka përfituar përmes ryshfetit 5 milionë eurosh për ndërtimin e 2 inceneratorëve.
Ndërkohë, Alqi Bllako, ish vartës i Kokës në Ministrinë e Mjedisit, pas ndryshimit të vendimit në Apel, duke e rikthyer në burg, është dërguar në Durrës. Burime bëjnë me dije se ndodhet në të njëjtën qeli me Kokën. syri.net
Kuvendi i Shqipërisë miratoi marrëveshjen për realizimin e projektit “Durrës Yachts & Marina”, që sipas Qeverisë do të jetë porti më i madh turistik i Mesdheut.
Në seancën e së enjtes, e cila zgjati rreth 14 orë, pas mesnate u miratua marrëveshja e nënshkruar ndërmjet Qeverisë shqiptare dhe investitorit nga Dubai, Mohamed Alaabar.
Pro kësaj marrëveshje votuan 76 deputetë, ndërsa 35 deputetë votuan kundër këtij projekti.
Kuvendi i Shqipërisë ka 140 deputetë, ndërsa në momentin e votimit në sallë ishin 111 deputetë.
Kryeministri Edi Rama nuk ishte i pranishëm në momentin e votimit.
Seanca u shoqërua me debate të forta dhe u ndërpre dy herë, për shkak të tensioneve të krijuara gjatë fjalës së kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Rama gjatë fjalës së tij në Kuvend mbrojti projektin, duke e cilësuar atë si historik
“Investimi kap vlerën 1.2 miliardë euro. Do të jetë një motor i jashtëzakonshëm ekonomik për Durrësin e mbarë Shqipërinë”, tha ai duke iu përgjigjur kritikave dhe akuzave të opozitës për marrëveshjen.
Opozita e konsideron projektin e Portit të Durrësit si një nga aferat më të mëdha të Qeverisë Rama.
“Marrëveshja shkel me të dy këmbët marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit, shkel Kushtetutën e Shqipërisë. Marrëveshja është një mashtrim fund e krye ligjor”, tha Berisha.
Shefi i grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj tha se në Portin e Durrësit do të pastrohen paratë e krimit.
Marrëveshja për realizimin e projektit “Durrës Yachts & Marina” u nënshkrua më 11 gusht të këtij viti mes Qeverisë shqiptare dhe investitorit arab, Muhammed El Alabbar.
Disa ditë pas nënshkrimit, pati një reagim nga zyra e delegacionit të Bashkimit Evropain në Tiranë, duke kërkuar më shumë transparencë dhe qartësi.
Dy ditë më parë zyra e BE-së në Tiranë njoftoi se është anuluar granti i Fondit të Investimeve për Ballkanin Perëndimor për portin e Durrësi, për shkak të modifikimit të projektit.
Vlera e këtij granti ishte 28 milionë euro.
Por, të enjten gjatë fjalës së saj para deputetëve, zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku, tha se anulimi i grantit ishte kërkuar prej saj në vitin 2019.
“E kam kërkuar personalisht sepse nuk kishte pse Shqipëria të merrte një grant 28 milionë euro për të përmirësuar kalatat 1 dhe 2 në portin e Durrësit, për të futur më shumë çimento, grurë apo qymyr, se nuk bënte më asnjë sens ekonomik dhe teknik. U ulëm, diskutuam me BE-në, pasi ishte një aplikim i bërë 12 vjet më parë, dhe në kaq kohë Shqipëria ka ndërruar prioritete dhe strategji”, tha ajo.
Zyra e BE-së në Tiranë ka deklaruar se “sa i përket marrëveshjes tregtare ndërmjet Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, BE-ja do të vazhdojë të monitorojë rëndësinë për MSA-në dhe pajtueshmërinë me të, në dialog me institucionet shqiptare”.
Pas miratimit në Kuvend, marrëveshja shkon në Presidencë për dekretim.
PD-ja ka depozituar padi në Gjykatë Kushtetuese dhe ka informuar partnerët ndërkombëtarë, pasi pretendon se projekti shkel Marrëveshjen e Asociim- Stabilizimit.
Me nisjen e zbatimit të marrëveshjes me investitorin arab në Durrës, porti tregtar do të duhet të zhvendoset në Porto Romano.
Sipas Ballukut, ky port i ri nuk do t’i përgjigjet vetëm nevojave të Shqipërisë, por edhe të Kosovës.
Ajo tha se ky port do të lidhet përmes linjës hekurudhore me portin e thatë të Prishtinës, por edhe me një port të thatë në Strugë të Maqedonisë së Veriut, duke u vënë kështu në shërbim të gjithë Ballkanit Perëndimor.
Këto ditë, opinioni publik është njohur me disa akuza të rënda në drejtim të kryetarit të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla. Ai është akuzuar hapur në Gjykatën e Posaçme nga Ardian Çapja se qëndron pas vrasjeve në Elbasan, madje se mund të ketë gisht në ekzekutimin e avokatit Revik Gurra.
Edhe më herët ka pasur akuza se Balla ka lidhje me bandat në zonën e Elbasanit e deri në Lushnje.
Por disa përgjime të siguruara nga SYRI, sugjerojnë se ai ka lidhje edhe me banda të tjera, në pjesën veriore të Shqipërisë. Në përgjimet e bandës së Bajrëve, të bëra nga SPAK, del sërish emri i politikanit Taulant. Gjatë këtyre përgjimeve, politikani Taulant merr përsipër të zgjidhë diçka për bandën.
Ndërkohë, për bandën e Bajrëve ka pasur përgjime të shumta të bëra edhe disa vite më parë. Këto përgjime i kaluan si dosje te SPAK, i cili nuk ka guxuar të hetojë për këtë çështje. Kujtojmë se në vitin 2018, pati deklarata nga opozita se nëse dalin përgjimet e Bajrëve, do ketë perla, pasi aty ka mesazhe me politikanë të lartë, ministra apo shefa policie.
Ajo që u merr përsipër Taulanti duket se ka lidhje me një kalim ligji. Gjatë bisedës, flitet për lojëra fati dhe se si Taulanti do ia kryejë këtë çështje.
BISEDA
685: G është dakord!
008: Po.
685: Po hajde, besoj ndonjë lloj influence do ketë.
008: G është dakord, Taulanti po mundohet për të marrë firmat, ai po, Taulanti është motorri.
685: E marr vesh, mirë, mirë, ok.
008: Na ishte dashtë edhe një nga PD-ja.
685: Jo, s’kam naj një dmth që tia vlejë se…
008: Mirë pra.
685: Nuk ma ha menja se i hudhin topa për shalësh këta.
008: Këto mund t’i hudhësh topa për shalësh kur e kanë brë ligji.
685: Po.
008: Se i kanë shfrytëzuar vërejtjet që ka ai për lojërat e fatit dhe e kanë bo si kanë dashtë.
685: Mu dje më mori ky çuni që është me këtë… me atë ‘Maematikun’…
008: Me…
685: Me këtë ‘Maematikun’ (nuk dëgjohet mirë) këtej më mori, po më thotë që dun me janë në fjalë të mira, dun me e shty, me e ba…
Kryeministri Edi Rama ka mbajtur sot një fjalim prej 53 minutash në Kuvend lidhur me portin e Durrësit, në fund të të cilit ka dalë “qull në djersë”. Edhe këtë herë, Kryeministri nuk dha asnjë përgjigje apo argument mbi pikëpyetjet e shumta që e kanë shoqëruar këtë projekt, por ka zgjedhur përsëri të shajë dhe fyejë kundërshtarë politikë.
Pak minuta pasi është larguar nga Kuvendi, ai ka publikuar një fotografi në faqen e tij në Facebook ku ka hequr kostumin dhe prej këmishës së bardhë duket i djersitur.
“Prapaskenë pas Kuvendit – I sapodalë nga zhytja në histori për #Durrësin2030”, shkruan Rama.
Por përtej kësaj “prapaskene” të publikuar vetë prej tij, pyetjet që lindin janë të shumta.
A ka dalë Rama “qull” prej Kuvendit për shkak të aferës 2 miliardë euro?
A është djersitur kryeministri për shkak të gjendjes së tij ndoshta jo shumë të mirë shëndetësore?
Cilado që të jetë përgjigjja e këtyre pyetjeve, Rama duket se i ka dalë vetë përpara, kur e ka publikuar fotografinë si një “prapaskenë” të Kuvendit.bw
Kryetari demokrat, Sali Berisha, tha përpara Kuvendit, se kryeministri Edi Rama i përmbyti qytetarët e Shkodrës në pabesi të plotë.
“Të nderuar qytetarë, në interpelancë po flet autori i vërtetë i dramës që po përjetojnë Shkodra dhe Nënshkodra, po flet njeriu që në pabesi, në mesnatë, pa informuar asnjë njeri, pa informuar sipas ligjit, autoritetet vendore, hapi të gjitha tunelet dhe portat e Komanit dhe Vaut të Dejës, dhe krijoi një dallgë përmbytëse të tillë që nuk e kishte parë Shkodra, dallgë e cila nxori nga themelet urën e vjetër të Bahçallëkut, monument kulture, dallgë që përmbyti në një kohë të shkurtër 500-600 banesa.
Ky akt i mosnjoftimit është vepër penale. Qëllimi ishte që përmbytja të mos i faturohej hapjes së digave dhe kaskadës, që me ligj bëhet përgjegjëse për dëmshpërblimin e banorëve. E dyta, të fshihte faktin se për ditë të tëra nuk prodhoi energji elektrike, duke lejuar edhe rritjen e lartësisë së ujit në Koman, që është një liqen me kapacitet realisht të kufizuar dhe mbushet dhe stërmbushet nga lumenjtë e rrëmbyer brenda një kohe të shkurtër.
Reshjet ishin të paralajmëruara, por të gjitha këto nuk e penguan dyshen Rama-Balluku që të importonte energji me 230 euro megavati, në një kohë kur portat hapeshin dhe shkonin në det duke ndëshkuar shqiptarët.
Pasi e kreu këtë akt, në vend që të kërkonte ndjesë, në vend që të premtonte se do dëmshpërblente dëmet një më një, duhet ta dini se të gjitha të mbjellat nën ujë, shkatërrohen, kryesisht kishte grurë. U shkatërroi të gjithë ekonominë me një akt pabesie në mesnatë, duke hapur dyert pa asnjë paralajmërim. Tani del në interpelancë dhe do bëjë krahasime të pakrahasueshme,” tha Berisha.
“Sidoqoftë, e dënoj me ashpërsinë më të madhe aktivin e përmbysjes së Shkodrës dhe Nënshkodrës nga hapja në mesnatë pa paralajmërim e tuneleve, kërkoj dëmshpërblimin e tyre nga ata që i përmbytën. Drejtorin i KESH ka kryer një krim duke mos lajmëruar autoritetet vendore. Ne jemi këtu për të qëndruar në interes të qytetarëve të përmbytur.
Sikur kemi sjellë një amendament në Kuvend, për krijimin e fondit rezervë nga KESH për përmbytjet. Në Shqipëri, përmbytjet nuk janë të rralla. Por përmbytjet e paralajmëruara janë të domosdoshme që të merren masa dhe të dëmshpërblehen kur ndodhi për shkak të digave. Ligji shqiptar dhe në gjithë botën, detyron përmbytësin që të dëmshpërblejë të përmbyturin,” tha Berisha. syri.net
Kryetari i opozitës, Sali Berisha, deklaroi nga foltorja e Kuvendit, se kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, është akuzuar për vrasjen e avokatit Ravik Gurra.
Berisha tha se ai duhet të shkojë përpara drejtësisë.
“Shpirti i avokatit Ravik Gurra kërkon drejtësi. Ti je akuzuar për vrasjen e tij. Ne jemi të vendosur të mbrojmë të drejtat tona. Nuk mundet një i akuzuar për vrasje, një njeri i akuzuar se ka porositur vrasjen në Elbasan, të marrë fjalën këtu.
Nxirreni jashtë parlamentit, të shkojë në prokurori. Si ju duket akuza se ka porositur vrasjen e Ravik Gurrës? Shko dhe përballu me prokurorinë. Mos përdor imunitetin.
Hera e dytë që akuzohesh për vrasje,” tha Berisha.
“Je akuzuar për porositje vrasjesh dhe fshirje përgjimesh dhe bashkë me ty në parlament është shpirti i të ndjerit Ravik Gurra, që të kishte kapur në lidhje me bandat. Kaq ishte përgjigjia ime”.
Kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, e nisi seancën duke sulmuar kreun e opozitës, Sali Berisha, duke thënë se ai po bën pis rregulloren e Kuvendit sepse është non-grata.
Por heshti dhe nuk reagoi më kur Berisha i tha se ai nuk duhej të ishte në Kuvend, pasi ka urdhëruar vrasjen e avokatit Ravik Gurra. Berisha tha se Balla urdhëroi këtë vrasje, pasi Gurra kishte rënë në përgjimet e tij. Taulant Balla ishte politikani i lartë që qëndronte pas krimeve të rënda në Elbasan.
Para pak ditësh, Ardian Çapja foli në gjyqin që po zhvillohet kundër tij për vrasjen e Gentian dhe Nezir Beqirit. Çapja akuzoi një “politikan me emrin Taulant” që ka dalë në përgjimet e masakrës së shkurtit të vitit 2016. Sipas tij, gjatë hetimeve doli në përgjime emri i një politikani me emrin Taulant, por përgjimet u fshinë me urdhër të gjykatës.
“Pas masakrës së 3 shkurtit 2016 unë nuk kam dalë më nga shtëpia. Me avokatin e ndjerë Ravik Gurraj kemi marrë dosjen e ngjarjes së vitit 2016 dhe aty ka qenë në përgjim edhe një zyrtar i lartë me emrin Taulant. Më pas kemi mësuar se me vendim të Gjykatës së Elbasanit përgjimet e politikanit janë asgjësuar. Politikani me emrin Taulant më ka marrë në telefon dhe më ka ofruar ndihmë, por unë nuk i kam kërkuar asgjë. Emrin e tij të plotë nuk e përmënd sepse më rrezikohet familja”, deklaroi Çapja.
Dëshmia ka qenë një bombë e vërtetë. Dyshimet janë se bëhet fjalë për Taulant Ballën, ish-drejtues politik i Partisë Socialiste në Elbasan, aktualisht në krye të grupit parlamentar të Partisë Socialiste.
Balla është akuzuar vazhdimisht se ka përkrahur bandat që janë në hasmëri me Çapjat, duke i ofruar mbështetje policore, por edhe mbrojtje politike. Por kjo është hera e parë që emri i tij përmendet në sallën e gjyqit nga një prej protagonistëve të konfliktit mes bandave. Sipas Ardian Çapjas, përgjimet ku dilte politikani me emrin Taulant janë arsyeja që u vra avokati Ravik Gurra në Elbasan.
“Vrasja e avokatit Ravik Gurra lidhet me masakrën e 3 shkurtit. Prokurori Ridvan Sukaj nuk na ka marrë dëshmi për ngjarjen e 2016 dhe kjo është hakmarrje e Sukajt ndaj nesh. Hetimet vazhduan për 2 vite dhe nuk arritën të zbuojnë asgjë. Këtu ka filluar manipulimi dhe orientimi i hetimeve. Unë s’kam lidhje me vrasjen e 2012 sepse kjo vërtetohet nga qelizat telefonike që kam qenë jashtë vendit. Këtë manipulim e ka bërë prokurori Ridvan Sukaj. Kam dëgjuar në media që ju, prokurori Dibra, keni nën hetim vrasjen e avokatit tim Ravik Gurra. Ke tri telefona, ke dosjen time. Gjeje kush ka vrarë avokatin. Bëj drejtësi! Nëse zbardh vrasjen e avokatit Gurra, do zbulosh thesare. Politika në Elbasan është e lidhur me krimin. Nisini hetimet që aty. Hap hetimin e Ravikut, aty ke gjithë të vërtetën. Mos qesh ti prokuror se kur doja të bëja kallëzim për prokurorin Ritvan Sukaj, je larguar nga zyra me vrap. Unë jam më i drejtë se vetë drejtësia. Ridvan Sukës i kam bërë kallëzim për moshetimin e ngjarjeve. Unë i kam vajtur në zyrë dhe i kam kërkuar që të zbardhë ngjarjen e 2016, por ai ka heshur dhe shkak ka qenë përgjimi i politikanit Taulant”, tha Çapja në sallën e gjyqit. syri.net
Në seancën e sotme parlamentare që do të nisë në orën 10, opozita ka thirrur në interprelancë Kryeministrin Edi Rama për projektin e Portit të Durrësit, atë që opozita e konsideron si aferën më të madhe të zhvatjes dhe korrupsionit dhe që ia kaluar asaj të inceneratorëve. Në faqen zyrtare të Kuvendit, ku është shpallur rendi i ditës, pika 3, thuhet:
“Interpelancë urgjente me Kryeministrin, z. Edi Rama kërkuar nga një grup deputetësh mbi projektligjin “Për miratimin e marrëveshjes kuadër, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Eagle Hills Real Estate Development, Albanian Seaports Development Company, sh.a. dhe Nshmi Development L.L.C, në lidhje me projektin e investimit strategjik “Marina & jahtet e Durrësit””
Kjo pikë është futur nNë mbështetje të neneve 78, 83, pikat 1 e 2, dhe 155, të Kushtetutës dhe nenet 73-77 të Rregullores, shumicë e cilësuar votash për miratim. Interpelanca nis me pyetjet nga nismëtari dhe më pas shprehet komisioni përgjegjës për Veprimtaritë Prodhuese,Tregtinë dhe Mjedisin Diskutimet janë parashikuar jo më shumë se 6 orë. Minutazhi për diskutimet, është si vijon:
Grupi parlamentar i PS, 190 minuta;
Grupi parlamentar i PS, 103 minuta
Grupi parlamentar “Aleanca për Ndryshim” 18 minuta
Grupi parlamentar “Drejtësi dhe Integrim” 18 minuta
Deputetët jashtë grupeve parlamentare:
Partia e Lirisë 10 minuta
PSD 10 minuta
Në diskutime, i janë përcaktuar minutat edhe kreut demokrat Sali Berisha dhe anëtarëve të grupit të rithemelimit të PD: Albana Vokshi, Edmond Spaho, Flamur Noka dhe Luan Baçi, gjithsej 13 minuta të ndara ndërmjet 5 deputetëve).
Oboti është një nga fshatrat më të dëmtuar nga përmbytjet e viteve te fundit në Shkodër. Banorët e tij përballen thuajse çdo vit me vërshimin e ujërave, që vijnë nga rreshjet e shiut dhe shkarkimet e hidrocentraleve. Mëgjithëse kanë kaluar 4 ditë nga fillimi i përmbytjeve, në këtë fshat me rreth 100 shtëpi, shkohet vetëm me ndihmën e automjeteve të larta të ushtrisë. Ndërkohë, banorët shprehen se ndjehen të izoluar dhe se askush nuk po interesohet për gjendjen e tyre.
Në krye të rrugës që të çon në fshatin Obot, të njësisë administrative “Ana e Malit”, në Shkodër, prej katër ditësh qëndrojnë forca të shumta të ushtrisë me automjete dhe varka për t’u ardhur në ndihmë banorëve për të lëvizur, pasi rruga automobilistike është ende e pakalueshme për automjetet e ulëta. Kjo pamje përsëritet thuajse çdo vit, që nga përmbytjet e vitit 2010, kur Shkodra u përfshi nga përmbytje masive, pasojat e të cilave vazhdon edhe sot e kësaj dite t’i vuajë e gjithë zona e Nënshkodrës.
Që nga viti 2010, banori i këtij fshati, Gregor Pema, përpiqet t’u japë zë shqetësimeve të bashkëfshatarëve të tij. Ai thotë se fshati ka rreth 100 shtëpi, por një pjesë e banorëve janë larguar për shkak se, përmbytjet e përvitshme kanë dëmtuar tokat dhe ekonominë e familjeve të tyre. Prej 4 ditësh, thotë Gregori, Oboti është nën ujë. Dje, uji iku 30-40 cm nga fshati, por sot u rikthye edhe më shumë. Kjo, thotë ai, e ka bërë jetesën dhe ekonominë të pasigurtë në Obot.
“Këto dëme pak kush i vlerëson. Fshatarësia jeton me këtë tokë. Mund të thotë dikush se si jeton me këtë tokë? Ata që jetojnë këtu nuk kanë të ardhura të tjera, nuk kanë rroga, jetojnë me lopë,me dele, me derra, me pula, me parcela gruri, me parcela lakrash, me sera domatesh, me janxhe. Këto janë gjërat e fshatit, të bujqësisë. Po u përmbytën këta, atëherë populli varfërohet. Por, kisha me i ba një thirrje qeverisë; fshija lotët këtij popull”.
Qëkur nisën përmbytjet në Shkodër, 4 ditë më parë, ministra, deputetë dhe opozitarë vërshuan në zonat e përmbytura, por në Obot, thotë Gregori, nuk erdhi askush, përveç forcave të ushtrisë, të cilat ai i falenderon për gatishmërinë në ndihmë të banorëve. Të gjendur prej 4 ditësh thuajse të izoluar në zonën e përmbytjes, obotasit sot kanë nevojë për mbështetje.
“Sot banorët e Obotit kanë nevojë për shumë gjana. Kanë nevojë për t’ju pru një pako ushqime tek shtëpia sepse ka familje qe nuk mund të dalin jashtë, që çelin me zor derën e shtëpisë. Kan nevojë për ndonjë thes miell, bidona ujit të pijshëm. Pika e pare, kjo është emergjenca”.
Dikur një port i rëndësishëm në breg të lumit Buna, sot Oboti gjendet i pambrojtur përballë vërshimit të përvitshëm të ujërave. Kur u ndërtua hidrocentarli i Vau të Dejës, banorët i detyruan të shpërngulen në kodra, ku u ndërtua Oboti i Ri. Por, në fillimet e demokracisë, pa marrë parasysh rrezikun, obotasit u rikthyen në shtëpitë e vjetra, në fushë, ku tashmë kanë mbetur të pambrojtur.
“Tuj u ba digat, Gjadër, Dajç, Darragjat, Bërdicë, Samrishë, Pentar e deri në Velipojë, ujnat u shkapetën vetëm në trupin e Obotit, përmbi shtëpijat e Obotit. Prandaj këtu është gjynah me ja marrë edhe taksën e tokës këtij popull derisa t’i gjendet një rrugë këtij uji.
Që pas përmbytjeve masive të 2010-tës, kur ujërat u shtrinë në të gjithë zonën e Nënshkodrës, deri në lagjet në hyrje të qytetit, janë bërë me dhjetëra studime dhe shpenzuar më shumë se 12 milion dollarë për sistemin dhe mbrojtjen e argjinaturave, e megjithatë Oboti dhe Nënshkodra vazhdojnë të përmbyten thuajse çdo vit.
122 miliardë lekë ose mbi 1.1 miliardë euro është dëmi ekonomik që qeveria i ka shkaktuar buxhetit të shtetit vetëm për 9 muaj të vitit 2022. Ky është përfundimi i një auditimi nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për periudhën Janar-Shtator 2022. Në auditim janë marrë në sitë 147 institucione qendrore në varësi të Qeverisë dhe bashkive si ministri, drejtori të përgjithshme, agjenci, njësi të qeverisjes vendore, shoqëri aksionere ku janë konstatuar shkelje të shumta që kanë sjellë dëm ekonomik por edhe ndikim negative në administrim të ardhurave ose shpenzimeve.
Shkeljet më të rënda financiare nga ministritë dhe drejtoritë në varësi të tyre janë konstatuar në tenderë e prokurime publike dhe sidomos në zbatimin e kontratave. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, e drejtuar nga Belinda Balluku qëndron në krye të abuzimeve, e më pas vijnë Fondi Shqiptar i Zhvillimit me drejtor Dritan Agollin, KESH me drejtor Ergys Verdhon si dhe Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare në varësi direkt të Kryeministri Rama.
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar parregullsi dhe shkelje të rënda financiare në Tatime e Dogana me pasojë dëm ekonomik në të ardhura dhe shpenzime në shumën 47 miliardë lekë. Në këtë dëm peshën kryesore e mban Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve me drejtor Ceno Klosin me 45 miliardë lekë të reja. Sipas raportit të KLSH, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve zë 97 përqind shkeljeve ne fushën e të ardhurave duke lejuar evazionin fiskal në një shifër rekord të abuzimesh prej afro 400 milionë euro vetëm në 9 muajt e fundit.
Pas Tatimeve janë Doganat me 846 milionë lekë abuzime si dhe 421 milionë lekë në fushën e shitjes-blerjes dhe dhënies me qira të pasurisë shtetërore. Ndërkohë që është evidentuar shkelje e disiplinës financiare me ndikim negativ në performancën e administrimit të të ardhurave, shpenzimeve dhe në përdorimin e fondeve publike në vlerën totale 74 miliardë lekë. Gjatë nëntë mujorit të vitit 2022 në përfundim të 120 auditimeve të kryera, KLSH ka dhënë opinione për 97 prej tyre si dhe ka përcjellë në Prokurori 1 kallëzim penal.
Sipas të dhënave të fundit në zonat problematike të Bashkisë Lezhe ka patur ulje te nivelit te ujit që përmbyti toka e banesa.
Syri tv mëson se rruga që lidh fshatin Blinisht – Superstradë (Lezhë-Shkodër) vazhdon të jetë e pakalueshme si rezultat i prezencës së ujit.
Ka 500 ha sipërfaqe toke të përmbytura në fshatin Torovicë, njësia administrative Balldre, 800 ha në njësinë administrative Dajç dhe Blinisht, bashkia Lezhë.
Ja njoftimi për situatën në Lezhë:
Situata në territorin e Qarkut Lezhë ora 8:00, datë 22.11.2022
Në territorin e qarkut gjatë mbrëmjes deri sot në mëngjes kemi patur rreth 20 mm reshje.
Situata e deritanishme paraqitet si mëposhtë:
Në njësinë administrative Dajç, bashkia Lezhë, kemi ulje të nivelit të ujit me rreth20cm.
Ura që lidh fshatin Gjadër me Zojs-Gramsh është e kalueshme dhe për mjetet e vogla.
Rruga që lidh fshatin Blinisht-Superstradë (Lezhë-Shkodër) vazhdon të jetë e pakalueshme si rezultat I prezencës së ujit në trupin e rrugës, kurse rruga që lidh fshatin Blinisht-Baqel është e kalueshme plotësisht.
Kemi rritje të nivelit në trupin e rrugës në fshatin Piraj, e cila është bërë e pakalueshme nga mjetet.
Nga ana e Kryqit të Kuq, dega Lezhë janë dhënë ndihma ushqimore për 1 familje të evakuar në fshatin Mabë.
Në fshatin Kakarriq vazhdon të kemi prezencë në 4 banesa, edhe pse niveli I ulit po vazhdon të ulet.
Kemi 500ha sipërfaqe toke të përmbytura në fshatin Torovicë, njësia administrative Balldre, 800ha në njësinë administrative Dajç dhe Blinisht, bashkia Lezhë.
Hidrovoret po punojnë me kapacitet të plotë dhe pandërprerje. Konkretisht Droje, Shllinza, Tale, Ishull Shëngjin, Grykë Zezë, Gocaj nivelet e ujit janë nën kuota kritike dhe hidrovori Balldre rreth -1.2 m.
Lumi Drin është në kuotën +1.15 m nga +2.0 m kuote kritike.
Lumi Gjader ka kuota të larta, ndërsa lumi Mat ka rritje të kuotave port ë papërfillshme.
Në bashkinë Mirditë dhe Kurbin nga strukturat e MC nuk raportohen problematika.
Bashkia e Shkodrës ka paraqitur mëngjesin e sotëm, një përmbledhje të situatës së përmbytjeve në të gjitha njësitë e saj administrative. Nga monitorimi në terren ditën e sotme, datë 22.11.2022, ora 08.00, situata e përmbytjeve në terren vazhdon të jetë si më poshtë:
Hidrometri i liqenit të Shkodrës në orën 8.00,shënon kuotën 7.67 m.(Kuota max 8.70 m).
Hidrometri i lumit Drin në orën 8.00, shënon kuotën 5.90 m. (Kuota max 7.50 m).
Bashkia Shkodër, sipërfaqe totale e përmbytur 1685 ha
Familje të evakuara:
Janë 26 familje të evakuara, gjithsej 99 persona, kryesisht nga njësitë administrative :
Nj. Administrative Guri i Zi, 19 familje (77 persona), po evakuohen 30 krerë gjë e gjallë,të imta.
Nj. Administrative Bërdicë, 2 familje (8 persona)
Lagja Nr.4, 3 familje (7 persona)
Lagja nr. 1, 2 familje ( 7 persona)
Të akomoduar në konvikt 3 familje ( 12 përsona), ndërsa pjesa tjetër tek të afërmit .
Shtëpi me prezencë uji në oborre dhe në brendësi të banesave gjithsej 5 banesa:
Lagja Nr.4, 5 banesa (Ajasem)
Nj.A. Ana e Malit
Sipërfaqja e tokës bujqësore e përmbytur vlerësohet në 900 ha, kryesisht në fshatrat Obot, Muriqan,Oblikë
Rruga e Obotit – Niveli i ujit mbi rrugë arrin rreth 40 cm.
Ujësjellësi Oblika 1,si pasojë e përmbytjeve është jasht funksionit
Nj.A Dajç
1.Sipërfaqja e tokës bujqësore e përmbytur vlerësohet në 150 Ha, kryesisht në fshatrat Mushan, Shirq, Pentar.
2. Rruga Darragjat-Shirq në vendin e quajtur Urrelat e Shirqit ka mbi 15cm ujë.
Nj.A.Velipojë
Sipërfaqja e tokës bujqësore e përmbytur vlerësohet në 135 Ha.kryesisht fshatrat Baks, Luarz. Ças.
Nj. A. Guri i Zi
Sipërfaqja e tokës bujqësore e përmbytur vlerësohet në 300 Ha, kryesisht në fshatrat Kuç dhe Rrenc.
Nj.A.Bërdicë
Sipërfaqja e tokës bujqësore e përmbytur vlerësohet në 200 Ha, konkretesht në fshtrat Trush,Berdicë e Siperme,Berdice e Mesme, Beltoje.
Bashkia Shkodër është në gatishmëri me të gjithe kapacitetet e veta njerëzore, logjistike dhe akomoduese për ti ardhur në ndihmë popullates të rrezikuar nga pëmbytjet e shkaktuara nga reshjet e shiut dhe shkarkimet e hidrocentraleve.
Situata në Lezhë si pasojë e përmbytjeve aktualisht paraqitet e qetë. Gazetari Elidon Ndreka, ka bërë një pasqyrim të situatës së përmbytjeve në Lezhë. Gazetari Ndreka raportoi se 800 HA tokë në Zadrimë janë nën pushtetin e ujit.
“Dëmet janë kryesisht në ushqimet e bagëtive. Përmbytjet kanë dëmtuar pjesët më të mëdha. Ka pasur një ulje të nivelit të ujit, por nga ana e Bashkisë këshillohet që të mos kalohet. Një familje është evakuuar, deri tani nuk ka pasur dëme në njerëz. Aktualisht reshjet janë me intensitet të ulët. Nëse vijohet në këtë mënyrë pritet të ketë rritje të nivelit të ujit në disa zona”, raportoi më tej gazetari.bw
Emergjenca për të plotësuar nevojat e tregut të punës me punonjës të huaj po rritet me shpejtësi muaj pas muaji, për shkak të emigracionit të lartë të fuqisë punëtore vendase dhe nga ana tjetër nga rritja e kërkesës për të prodhuar në Shqipëri pas pandemisë Covid-19 dhe luftës në Ukrainë.
Sipas të dhënave nga Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive (AKPA) gjatë 9 -mujorit 2022 kanë marrë leje pune 5,233 shtetas të huaj. Ky numër ishte 4% më i lartë se gjithë kontratat e punës që u dhanë për të huajt për vitin 2021.
Deri në fund të vitit pritet të lëshohen edhe një sasi e madh lejesh qëndrimi për punë ndaj të huajve nisur nga kërkesat e larta që bizneset në sektorë të ndryshëm të ekonomisë kanë bërë tek agjencitë e punësimit.
Të dhëna më të detajuara nga AKPA tregojnë se punonjësit e huaj më së shumti vijnë të punësohen në industrinë përpunuese, në sektorin e ndërtimit, në bujqësi dhe peshkim, etj.
Vitin e kaluar 16 për qind të lejeve të punës u lëshuan për shtetas turq, egjiptian, filipines dhe indian. Punonjës nga këto vende u punësuan kryesisht për industrinë fason Tik dhe ndërtim.
Vitet e fundit sidomos pas pandemisë Covid-19, bizneset në të gjithë sektorët kanë shpallur emergjencën për punonjës. Kjo u theksua sidomos këtë vit, pasi një valë e madhe emigracioni u theksua në moshat të reja. Sakaq është në rritje trendi i largimit me kontrata pune.
Të dhënat zyrtare nga Britania e Madhe, tregojnë se nga fillimi i vitit deri në fillim të nëntorit rreth 12 mijë shqiptare janë futur me gomone, shumica të rinj. Gjithashtu Eurostat raportoi se mbi 10 mijë shtetas shqiptare kanë kërkuar azil në 6 mujorin e parë.
Mijëra tjera largohen me llotarinë amerikane me viza studenti dhe për bashkim familjar. Largimet nga vendi janë aq të mëdha sa shumë sektorë raportuan rënie të konsumit për këtë fakt.
Tentativat për të zëvendësuar fuqinë punëtore me të huaj duket se, janë mjeti i vetëm për disa sektorë.
Gjovalin Shtjefni i cili prej 10 vitesh drejton fabrikën e prodhimit të veshjeve “Rubin” në qytetin e Shkodrës tha se, nëse nuk arrin të importojë punonjës të huaj do të detyrohet të mbyllë aktivitetin në dy vitet në vijim.
Bizneset ankohen se kostot për importin e punonjësve të huaj janë të larta, gjithashtu ka shumë borukraci. Kompanitë shqiptare janë përgjithësisht të vogla dhe kërkojnë një sasi të limituar punonjësish.
Erald Pashaj, administrator i EP & Partners Consultancy shpk (EPPC), një kompani që ka në fokus burimet njerëzore tha se kostot aktuale që një firmë duhet të paguaje për një punonjës nga Nepali janë 1200 euro dhe më pas një rrogë neto 550 euro në muaj.
Nëse një kompania paguan për 10 punonjës nga Nepali, 50 për qind e tyre mund të jenë totalisht joproduktivë, ndërkohë marrja e tyre me rroga shumë të larta largon punonjësit shqiptarë që paguhen më pak./B.Hoxha/MONITOR
Kemi nderin T’ju ftojmë të merrni pjesë në kremtimin e “Përvjetorit të Artë” të Kolegjit Universitar “Qiriazi” që do të zhvillohet ditën e premte, më datën 25 Nëntor 2022, ora 10.00 në sallën “Charles R.Crane” në Godinën e Këtij Universiteti.
Historiku
Kolegji universitar “Qiriazi” i ka rrënjët e themelimit në vitin 1922, në Kodër Kamëz, në këtë vend që është edhe sot, pas 100 vitesh…
Në fillimet e shek. të XX-të, Kodër Kamza hyri në historinë e arsimit dhe të kulturës shqiptare si një vatër e rëndësishme dhe me një jetë të pasur intensive, që njohu vetëm zhvillim e thellim.
Historia fillon me “Shkollën e Dakës”, (një emërtim popullor që nuk u shua as gjatë periudhës së komunizmit, duke eklipsuar edhe emrin e ri me të cilin thirrej institucioni i lartë arsimor i ngritur në këto themele) ose e emërtuar zyrtarisht, në fillesat e veta, “Lycee Internat Kyrias”. Ky institucion, i njohur edhe si “Instituti femnuer Kyrias- (Qiriazi)”, apo edhe si “Instituti Kyrias-Dako”, në të vërtet ishte vijim i shkollës së vashave, ose Kolegjit amerikan, të hapur në Korçë, në vitin 1891. Shkolla quhej “Shkolla amerikane e vajzave” dhe u hap me nisiativën e Gjerasim Qiriazit, i ndihmuar gjatë të gjithë periudhës së funksionimit nga “Bordi Amerikan i Komisioneve për Misionet e Huaja”. Megjithë përndjekjet e qeverisë turke dhe kishës greke, për të ndaluar funksionimin e shkollës, ajo pati vijimësi të mirë sepse ndodhej nën administrimin dhe mbrojtjen direkte të Misionit Amerikan, i cili kishte marrëveshje me Portën e Lartë, për ushtrim të lirë të veprimtarisë. Shkolla u mbyll vetëm në korrik të vitit 1914, kur në Korçë hyri ushtria greke dhe amerikanët që punonin aty, u dëbuan.
Shkolla e Korçës u mbyll, por jehona mbeti e pashuar. Në krye të tetë viteve, çifti Dako, të sapokthyer nga Shtetet e Bashkuara, me përvojën e fituar dhe nën modelin e kolegjeve amerikane, që ishin hapur pothuaj në të gjitha vendet e Lindjes, duke filluar edhe me Kostandinopojën (Stambollin), themeluan në tetor të vitit 1922, në Kodër Kamëz “Institutin Kyrias-Dako”, pothuaj me statusin e një kolegji universitar. Dana Stucky, një veprimtare dhe autore amerikane, shkruan: “Instituti “Qiriazi” për vajza, që sapo ishte hapur afër Tiranës, do të nxirrte mësuese, që ishin të domosdoshme për shumë shkolla të sapoçelura shqiptare”. Publicistët e kohës do ta quanin këtë institucion “vatër e madhe e arsimimit dhe emanipimit të vajzave shqiptare”, “Foleja kombëtare” etj. Logoja e Institutit Qiriazi ishte: “Gruaja e aresume (arsimueme-shënimi ynë) – shtylla e kombit”.
Në kujtimet e saj, Parashqevi Qiriazi rrëfen edhe ndihmën e pakursyer morale e materiale që themeluesit patën nga një veprimtar tjetër amerikan: Charles R. Crane. Industrialist dhe politikan, mik e bashkëpunëtor i presidentit Wilson, i cili ishte edhe mik i Kristo Dakos.
Instituti “Qiriazi” vijoi punë normale, pa ndërprerje vetëm në dekadën e parë të krijimit 1922-1932. Në vitin 1933, “kolegji femnuer”, si shumë shkolla të tjera private e fetare në Shqipëri, u mbyllën me ligj të parlamentit shqiptar, duke e konsideruar arsimin, kryesisht “të drejtë shtetërore”. Rihapja e këtyre institucioneve u bë tre vjet më vonë, më 1936, por tashmë në Shqipëri nuk do të kishte më rrjedhë normale të ngjarjeve dhe idealizmi e patriotizmi, nuk kishin më strehë e vend. Fashizmi, nazizmi e komunizmi, do të ngjasonin si tri pika uji, në trajtimin që do t’u bënin, në mes të tjerave objekteve private, në këtë rast të arsimit.
Me ndërpreje, Instituti Qiriazi do të vijonte aktivitetin deri në vitin 1943,kohë kur ndërtesat u zaptuan për nevoja të ushtrisë naziste dhe familja Dako-Qiriazi, edhe për shkak të një incidenti, do të internohej në Beograd… Në fillim të 1945 u kthyen gjallë dhe me shpresa, por… më mirë të mos kishin ardhur, se çfarë i priste. Tashmë godina e Kolegjit “Qiriazi” është e shtetëzuar dhe filloi të përdoret për nevoja të shtetit të ri shqiptar.
Lajmi i mirë është se ndërtesa kryesore e institutit Qiriazi nuk u shkatërrua siç u bë më vonë me shumë objekte kulturore dhe nuk iu ndryshua destinacioni i saj që kishte pasur në themelim.
Në vitet e para pas 1945 u bë shkollë për kuadro të ushtrisë partizane dhe më pas si shkollë për kuadro të partisë. Kjo deri në vitin 1949, kur në godinën kryesore të institutit “Qiriazi”, do të ngrihej shkolla e mesme bujqësore, me katër degë: bujqësi, veterinari, zootekni dhe pyje. Në miniaturë, kjo shkollë përfaqësonte fillesat e Institutit të Lartë Bujqësor të Tiranës, i cili u vendos në këtë godinë në vitin 1956, pesë vjet pasi ishte themeluar në Laprakë.
Për disa dekada me radhë, godina e Institutit Qiriazi-Dako, përfaqësonte korpusin kryesor të Institutit të Lartë Bujqësor (më vonë të Universitetit Bujqësor): fillimisht si godinë e vetme për të gjitha fakultetet dhe më vonë si Fakulteti i Pyjeve. Megjithë ndryshimin e tabelave, asnjëherë nuk u fshi nga kujtesa “Shkolla e Dakës në Kodër Kamëz”. Natyrisht jo zyrtarisht, por të gjithë brezat që kaluan në auditoret e Institutit Bujqësor, thirreshin: “Të shkollës së Dakës”.
Në vitin 2006, godina e Institutit “Qiriazi”, administrohej nga trashëgimtarët e pronarëve të saj: Robert Dako, nipi i Kristo Dakos dhe Sevasti Qiriazit (Dako), rihapi në këtë godinë Shkollën e Lartë Universitare Jo Publike “Sevasti e Parashqevi Qiriazi”. Shkolla u konceptua si një institucion i arsimit të lartë që kombinonte mësimdhënien me veprimtarinë dhe kërkimin shkencor dhe ofronte studime në 6 programe, 3 nga të cilat ishin Bachelor dhe 3 në Ciklin e Dytë, përkatësisht në Drejtësi dhe Ekonomi. Në vitin 2013, aktiviteti i Shkollës pezullohet, kryesisht edhe për mungesë të dashamirësisë prej organeve shtetërore të vartësisë.
Në vitin 2016, pas një pune paraprake voluminoze njëvjeçare, për përmbushjen e standarteve, ky institucion rihapet me emërtim dhe me pronar të ri: “Kolegji Universitar Qiriazi”, si trashëgimtare e Institutit Qiriazi, u rijetësua nga Prof. Dr. Gjokë Uldedaj dhe familja e tij, duke e ridimensionuar këtë institucion në parametrat e Ligjit të ri për Arsimin e Lartë dhe me orientim nga parimet amerikane të menaxhimit dhe funksionimit akademik e institucional, orientime të cilat kanë qenë qysh në themel, në vitin 1922.
Sot (2022), në krye të 100 viteve, Kolegji Universitar “Qiriazi” ka një fytyrë dhe përmbajtje të re. Është rritur në sasi dhe cilësi. Ka tre fakultete: Ekonomisë, Drejtësisë dhe fakulteti i Edukimit, Shkencave Sociale dhe Sportit si dhe një Kolegj Profesional të Lartë: Teknologji Ushqimore, Teknologji Informacioni dhe Hoteleri-Turizëm. Ka gjithësej 13 programe studimi: 5 diploma profesionale, 5 diploma bachelor, 1 diplomë për studime të integruara dhe 2 diploma për master shkencor.
Misioni i Universitetit Qiriazi mbetet ofrimi i një arsimimi cilësor në nivelet e arsimit Profesional, Bachelor dhe Master. Baza e realizimit të këtij misioni është kombinimi i mësimdhënies me kërkimin shkencor dhe vënia në epiqendër të vëmendjes e studentit dhe e të ardhmes së tij.
Nga 2016- 2022, “Kolegji Universitar Qiriazi”, ka kaluar me sukses dy akreditime institucionale dhe janë të akredituara të gjitha programet e studimit.
Ndërron jete ne spital 89-vjecari Çaush Shehaj, i cili ra pre e grabitjes me arme ne banesën e tij.
Ai ka ndërruar jetë si pasojë e dhunës së grabitësve.
Persona të armatosur, konkretisht Ervis Halimi dhe Musa Gudo, pasi kanë hyrë në banesën e të moshuarit, e kanë kërcënuar me armë dhe më pas dhunuar atë, ndërsa i kanë vjedhur një shumë lekësh.
NJOFTIMI I POLICISE
Falë reagimit në kohë dhe veprimeve profesionale të Policisë, zbardhet vjedhja me dhunë dhe nën kërcënimin e armës, e ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm, në fshatin Klos, Mallakastër. Finalizohet operacioni policor i koduar “Klosi”. Vodhën me dhunë dhe nën kërcënimin e armës, një shumë parash, në banesën e një të moshuari, arrestohen në flagrancë 2 autorët e dyshuar. Sekuestrohet arma e zjarrit dhe automjeti që autorët përdorën gjatë vjedhjes.
Rreth orës 08:00 të datës 19.11.2022 është njoftuar salla operative se në orën 02:30, në fshatin Klos, Mallakastër, kishte ndodhur një vjedhje me dhunë, në një banesë. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë organizuan punën për zbardhen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Falë veprimeve të shpejta dhe profesionale, bazuar dhe në inteligjencën informative, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes dhe identifikimi i personave që, nën kërcënimin e armës së zjarrit, i morën me dhunë një shumë parash, shtetasit Ç. Sh., 89 vjeç, i cili aktualisht ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Bazuar në provat e grumbulluara, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mallakastër, në ndërveprim me të gjitha strukturat e DVP Fier dhe në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Klosi”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:
E. H., 22 vjeç, banues në Fier dhe M. G., 28 vjeç, banues në Portëz, Fier. Gjithashtu, u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi F. Ç., 16 vjeç, banues në Roskovec, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarri tip automatik me një krehër me fishekë. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprat penale “Vjedhja me dhunë”, e kryer në bashkëpunim, “Plagosje e rëndë me dashje”, “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” dhe “Moskallëzimi i krimit”.
“Ditët e Mjedës” bashkuan studiues dhe autoritete vendore në qendrën muzeore “Ndre Mjeda”, ngritur vitet e fundit në fshatin Kukël të bashkisë Vau i Dejës, aty ku poeti kaloi pjesën më të madhe të jetës. Sipas studiuesit dom Nikë Ukgjini, kleriku jezuit Ndre Mjeda ishte një ndër veprimtarët e spikatur të Rilindjes Kombëtare, që u dallua për kontributin e gjërë në fushën e letërsisë, gjuhës shqipe, mësuesisë dhe përpjekjeve për mbrojtjen e çështjes kombëtare.
“Përkujtojmë poetin Ndre Mjeda për të gjithë ato vepra madhore që i ka realizuar gjatë jetës tokësore, pra si poet, përkthyes, qoftë edhe si njeri diplomat dhe politikan, sepse nga viti 1920-1924 ka qenë edhe deputet me Fishtën dhe Gurakuqin”.
Sipas profesor Artan Haxhit, në formimin e tij, Ndre Mjeda ishte edhe një gjuhëtarë që, përmes krijimtarisë së tij letrare dhe veprimtarisë shkencore, u përpoq për mbarëvajtjen e gjuhës shqipe në një periudhë të rëndësishme të nxitjes së vetëdijes kombëtare tek shqiptarët.
“Kontributi i tij është i jashtëzakonshëm edhe në alfabetin e gjuhës shqipe. Është anëtar i shoqërisë “Agimi” dhe ndër hartuesit e alfabetit të shoqërisë “Agimi”, i cili u paraqit edhe në Kongresin e Manastirit, në vitin 1908”.
Përkujtimi i figurës së Ndre Mjedës në prag të 110 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, sipas studuiesit Gjovalin Çuni, lidhet me kontributin e tij të gjërë si një ndër rilindasit e shquar, që hodhën bazat për pavarësimin e vendit si dhe me mbështetjen që ai i dha qeverisë së Ismail Qemalit.
“Pavarësisht se dom Ndre Mjeda nuk ishte në shpalljen e Pavarësisë, ai gjatë të gjithë periudhës mbeti i lidhur me qeverinë e Ismail Qemalit. Nga fundi i vitit 1912 në Shkodër erdhi Luigj Gurakuqi për të organizu vendosjen e sundimit të qeverisë së Vlorës dhe, ndër kryesorët që do t’u merrte me këtë punë, ishte dom Ndre Mjeda”.
Sipas studiuesve, “Ditët e Mjedës” shënojnë një moment reflektimi mbi gjuhën, letërsinë dhe historinë si dhe për nevojën e vlerësimit të mëtejshëm të figurave kombëtare.
Deputeti i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili me anë të një postimi në Facebook ka reaguar në lidhje me fitoren e Kosovës në arbitrazhin ndërkombëtar duke vërtetuar ligjshmërinë e veprimeve institucionale ndaj investitorëve.
Vasili i ka bashkangjitur një postimi të Albin Kurtit fjalën e tij teksa shkroi “Kosova me fat me Albinin, Shqiperia ne dite te zezë me Edvinin”.
Ai po ashtu shkroi se Kruti i shpëtoi buxhetit të Kosovës 30 milionë eureo më gjyqin e fituar, ndërsa kur kryeministër është Edi Rama qeveria humbet qindra milionë euro në Arbitrazhe dhe të tjera humbje presin.
Postimi i plotë:
Kosova me fat me Albinin, Shqiperia ne dite te zezë me Edvinin!
Kur kryeminister eshte Albin Kurti qeveria e Kosoves fiton gjyqet ne Arbitrazhin Nderkombetarsi ne rastin e gjyqit te fituar me Lute Credit duke i shpetuar Buxhetit 30 milione euro.
Kur kryeminister eshte Edi Rama qeveria humbet qindra milion euro ne Arbitrazhe dhe te tjera humbje e presin.
Me Albin Kurtin i kursehen miliona euro nga taksat e qytetareve.
Me Edi Ramen vetem grabiten e shperdorohen miliarda euro te taksave te qytetareve.
Kosova me fat, Shqiperia ne hall!
Albini do te thote qeveri e pergjegjshme.
Edi Rama do te thote qeveri grabitese e pangopur e djerses dhe taksave te qytetareve.
Ndëshkimi i personave që ndërtojnë pa leje ka qenë prioriteti i autoriteteve shqiptare, por referuar shifrave në burg nuk janë ndërtues e sipërmarrës që ndërtojnë pallate, por gratë.
Javët e fundit, TCH ka raportuar për artisten Mimoza Ahmeti, e cila u dënua me 40 orë punë të detyrueshme nga Gjykata e Tiranës për rindërtimin e shtëpisë së shembur nga tërmeti në Petrelë dhe për Bihane Shabën 74-vjeçaren e proceduar në Shkozë pasi instaloi disa hekura që shtëpia të mos i shembej nga dheu që po shkiste në themele.
Referuar të dhënave nga Open Data Albania, gjatë vitit të kaluar, 90 gra janë dënuar për dhënie të ndihmës për ndërtim të paligjshëm. Në total për vepra të ndryshme penale janë dënuar 698 gra dhe vajza. 70% e të dënuarave janë për krime dhe 30 % për kundërvajtje penale.
Pak kohë më parë, ministrat Bledi Çuçi dhe Belinda Balluku ofruan skena të tilla, të habitur nga disa ndërtime pa leje në kryeqytet.
Pas kaq javësh këto skena mbetën vetëm në politikën e ditës dhe në arkiva sepse askush nga ndërtuesit që hodhën pallate pa leje apo kate të tera jashtë lejes nuk është penalizuar njësoj si Mimoza Ahmeti apo 75-vjeçarja Bihane Shaba. Shfaqje të tilla mbesin vetëm fasadë, ndërsa ligji vepron vetëm mbi më të varfërit, më të pambrojturit dhe sigurisht mbi gratë.
Pesë të arrestuarit dy ditë më parë për aferën e inceneratorit të Fierit, u njohën të premten më 18 nëntor në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me akuzat e ngritura ndaj tyre dhe masën e sigurisë. Gjyqtarja Irena Gjoka vendosi vazhdimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg” për pesë të arrestuarit Arben Dervishaj, Regan Merdani, Gentian Zifla, Robert Shabani dhe Enver Sheshi.
Dervishaj akuzohet se në cilësinë e supervizorit ka miratuar dhe më pas ka dorëzuar pranë ministrive përkatëse situacioe për punime fiktive të shoqërisë së Klodian Zotos që ka fituar koncesionin për ndërtimin e inceneratorit të Fierit. Ndërsa katër të tjerët janë proceduar për krijimin e skemave mashtruese me Tatimin e Vlerës së Shtuar, TVSH, po në funksion të shoqërisë së Zotos.
Të mërkurën më 16 nëntor, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK njoftoi se kishte avancuar hetimet për inceneratorin e Fierit duke siguruar në gjykatë më 11 nëntor 11 masa sigurie të reja, nga të cilat 10 “arrest në burg” dhe një në “arrest shtëpie”. Por gjysma e urdhërndalimeve të reja nuk janë ekzekutuar. Sipas të dhënave të publikuara nga SPAK, për inceneratorin e Fierit janë nën hetim 20 persona.
Përfaqësuesi ligjor i një prej të hetuarve, Juri Ymerajt, deklaroi të premten për mediet se klienti i tij gjendej jashtë shtetit për arsye shëndetësore. Avokati Loren Liço vërejti se Ymeraj ishte paraqitur disa herë pranë SPAK për të dhënë shpjegime dhe se kishte njoftuar në prokurori për largimin e tij jashtë Shqipërisë për arsye shëndetësore. Ai theksoi se nuk kishte prova që përfshijnë Ymerajn në ndonjë rrethanë të paligjshme.
SPAK nuk ju përgjigj pyetjeve që BIRN i drejtoi lidhur me të dhënat e personave për të cilët nuk është bërë e mundur të ekzekutohet urdhër ndalimi dhe veprat penale për të cilat akuzohen; nëse dyshohet për dekonsipirim të hetimit; si dhe nëse po hetohet në këtë drejtim. “Çështja është në hetim dhe nuk mund t’ju përgjigjemi pyetjeve tuaja”, pohoi për BIRN koordinatorja për mediat në SPAK, Xhuljeta Krasta.
Si përgjegjës për aferën korruptive në inceneratorin e Fierit është akuzuar më parë Klodian Zoto, aksioneri kryesor i shoqërisë koncesionare ‘Integrated Technology Waste Treatment Fier’ sh.p.k. i cili vijon të jetë në arrati, si dhe administratori i kësaj shoqërie, Arenc Myrtezani, i ndaluar më parë. Po ashtu, hetimet kanë zbuluar përgjegjësi penale për ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka dhe ish-sekretarin e tij të Përgjithshëm, Alqi Bllako, si dhe për anëtarët e komisionit të dhënies së koncesionit, Azem Shatëri, Florjan Muçaj, Erjon Murataj, Sabina Cenameri dhe Etleva Kondi.
Sipas SPAK, Koka ka përfituar 146 milionë lekë ryshfet nga kompania koncesionare në këmbim të favorizimit të kësaj të fundit, ndërsa Bllako ka përfituar 14.9 milionë lekë përmes punësimit fiktiv të babait të tij në inceneratorin e Tiranës, përmes një page prej 6 mijë eurosh në muaj për periudhën tetor 2018-janar 2020. Koka dhe Bllako janë vënë në pranga, ndërkohë që Klodian Zoto mbetet në arrati.
Në këtë aferë korruptive rezulton të jetë krijuar edhe një skemë tjetër mashtrimi për sigurimin e përfitimeve të paligjshme nëpërmjet TVSH-së. Sipas SPAK, shtetasit Klodian Zoto, Arenc Myrtezani, Regan Merdani, Gentian Zifla, Enver Sheshi dhe Robert Shabani, kanë organizuar dhe vënë në funksionim skemën e mashtrimit me TVSH, me qëllim fitimin material për llogari të shoqërisë koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k.. Nga kreditimi i TVSH-së nëpërmjet faturimeve fiktive, i është shkaktuar dëm ekonomik buxhetit të shtetit, në vlerën totale 59.9 milionë lekësh./BIRN
Policia shqiptare arrestoi 32 vjeçarin Redon Skutera, si personi i dyshuar për dhunimin e gazetarit të Report tv, Adriatik Doçi për shkak të detyrës të dielën e kaluar pranë banesës së tij.
Forcat e rendit arritën brenda gjashtë ditësh të identifikojnë dhe të arrestojnë autorin e sulmit ndaj gazetarit investigative, Redon Skutera, duke e vendosur nën akuzën “goditje për shkak të detyrës”.
Hetimet vazhdojnë për zbardhjen e ngjarjes, ku dyshohet se kanë qenë të përfshirë edhe persona të tjerë.
Gazetari Doçi publikoi edhe takimin me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Yuri Kim, e cila i kishte shprehur mbështetjen e saj.
Gazetari Adriatik Doçi është i njohur për shkrimet investigative në Report Tv dhe Shqiptarja.com.
Të dielën e kaluar një grup personash e kanë ndjekur dhe një prej tyre e ka goditur pas shpine me grushta dhe sende të forta në afërsi të banesës së tij, ngjarje që u hetua me shpejtësi nga policia dhe hetuesit.
Gazetari Doçi ka deklaruar se beson që sulmi ndaj tij ka ndodhur për shkak të detyrës dhe se sulmi mund të jetë nxitur nga segmente të krimit dhe korrupsionit, për të cilët ai shkruan.
Ai shtoi se edhe më herët ka patur kërcënime verbale, për shkak të detyrës, por jo dhunë fizike.
Dy vjet më parë komisioni parlamentar për sigurinë zhvilloi një seancë dëgjimore me gazetarin investigativ Adriatik Doçi, i cili kishte publikuar disa shkrime që vinin në dyshim saktësinë ligjore të disa dekreteve për dhënien e shtetësisë shqiptare nga ish presidenti i Republikës Ilir Meta.
Zoti Meta i ka hedhur poshtë këto akuza, duke theksuar se të gjithë veprimet e tij në këtë fushë janë në përputhje me ligjin.
Gazetari Doçi ka publikuar dhjetëra shkrime denoncuese për ngjarje të dyshuara korrupsioni dhe afera për shkelje ligjore nga qeveria Berisha, mes të cilave investigimi mbi ish kompleksin sportiv Partizani, si dhe afera korruptive nga gjyqtarë dhe prokurorë.
Deputeti demokrat, Agron Shehaj, deklaroi sot se ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë për të kundërshtuar vendimin e djeshëm të Kuvendit për mandatin e Olta Xhaçckës.
Në një deklaratë për shtyp nga selia e PD, Shehaj tha se ka dorëzuar edhe konstatimin e papajtueshmërisë me Kushtetutën të mandatit të Xhaçkës.
DEKLARATA E PLOTE
Pasi e zvarriti pa fund, një ditë më parë, maxhoranca bllokoi në parlament dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të kërkesës për shqyrtimin e papajtueshmërisë me Kushtetutën për mandatin e zonjës Olta Xhaçka.
Me këtë votim të turpshëm, maxhoranca e shndërroi parlamentin edhe një herë tjetër në një mburojë për korrupsionin e qeveritareve të saj.
Ky është një akt shumë i rëndë. E megjithatë, jo surprizë për ne. Sepse në këto 10 vjet, kjo maxhorancë dhe kjo qeveri vetëm këtë kanë bërë. Kanë shfrytëzuar pushtetin për të vjedhur dhe për t’u pasuruar në mënyrë të paligjshme dhe më pas kanë përdorur kartonët e parlamentit si mburojë për korrupsionin e tyre.
Por Partia Demokratike është e vendosur që t’i shkojë deri në fund betejës me korrupsionin galopant dhe abuzimet e pafundme të kësaj qeverie. Ndaj në emër të Partisë Demokratike sapo dorëzova në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për kundërshtimin e vendimit të djeshëm të Kuvendit si dhe atë për konstatimin e papajtueshmërisë me Kushtetutën të mandatit të zonjës Xhaçka.
Zonja Xhaçka nuk mund të jetë njëkohësisht edhe ministre e Jashtme, edhe investitore strategjike. Nuk mund të jetë edhe deputete, edhe pronare e plazhit publik. Ndaj i takon Gjykatës Kushtetuese të marrë vendimin formal, të asaj që ligji dhe Kushtetuta e diktojnë fare qartë.
Deputeti demokrat, Agron Shehaj, ka hedhur akuza të forta ndaj qeverisë duke thënë se Parlamenti është kthyer në mburojë të korrupsionit.
Agron Shehaj përmendi ministren Xhaçka, investitore strategjike, aferën e inceneratorëve, lidhjen e Gjiknurit me Butrintin dhe aferën më të re, atë të Portit të Durrësit.
Sipas Agron Shehajt qeveria çdo ditë bën afera ndërsa shtoi se Parlamenti është kthyer në mburojën e hajdutëve.
“Parlamenti po kthehet në mburojë për korrupsionin. E kemi të qartë çfarë ka ndodhur me ministren e jashtme, që u shpall investitore strategjike. U fsheh pas bashkëshortit, pasi i doli kjo u fsheh pas kunatës.
Mashtrim pas mashtrimi. Tani që gjërat janë flagrante, ndërhyn parlamenti. Me kë është kjo mazhorancë, me ligjin apo me njeriun.
Do i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese. Ministrja e tunduar nga pushteti ka përdorur pozicionin për tu pasuruar. Ndryshe nga çfarë ndodh në perëndim, parlamenti kthehet në mburojën e hajdutëve.
Përveç propagandës keni krijuar kompani offshore. Afera korruptive, qeveri që orkestron çdo ditë nga një aferë. Përdorni gjithë pushtetin për të fshehur gjurmët.
Me Unazën e Madhe, kompani offshore, mashtrim. Me Gjiknurin për Butrintin. Me inceneratorët qeveria mashtroi se të Tiranës do e merrte një kompani e huaj. Kompanitë e huaja nuk janë se ishin një mashtrim.
Zoto, Mërtiri, janë kukulla, instrumenta për të realizuar vjedhjen. Arkitektët realë të inceneratorëve janë në këtë sallë të parlamentit, kryeministri, kryetarë bashkie. Të gjithë me vetëdije të plotë.
Sot Zoton, Mërtirin e keni në kërkim, qeveria u paguan para njerëzve në kërkim nga drejtësia.
Tani kemi Portin e Durrëit, afera më e madhe. Do marrë qeveria për vete Portin e Durrësit.
Rama mashtroi dy vjet qytetarët për kompaninë Emaar, por në vend të saj shkoi në ishuj, Porti i Durrësit, skemë si inceneratorët.”-tha Shehaj.
Banorët e Divjakës kanë dalë përsëri në proteste pasi janë kundër vendosjes së traut në parkun e Karavastasë, duke i detyruar të paguajnë para sa herë që do i duhet të hyjnë për punët e tyre.
Forca të shumta policie kanë qënë prezente, ku banorët janë përplasur me ta dhe kanë hequr nga rruga kabinën e traut.
Të pranishëm në protestë me banorët kanë qenë deputetja demokrate, Ilda Dhori dhe kryetari i PD, Lushnjë, Eduard Sharka.
Konkretisht, çdo vizitor detyrohet të paguajë 50 lekë të reja ndërkohë për automjetet është vendosur një tarifë prej 150 lekësh të reja.
Banorët shprehën se janë të indinjuar për shkak se sipas tyre kjo lëvizje është e jashtëligjshme. Ata kanë mbajtur në duar pankarta të ndryshme ku në njërën prej tyre shkruhet: “Fëmijët tanë duan oksigjen”.
Protesta ka vijuar prej disa ditësh pasi qytetarët ishin lajmëruar për vendosjen e kësaj mase, ndërkohë situata është tensionuar prej ditës së djeshme kur është vendosur edhe trau. syri.net
Mungesa e fuqisë punëtore është kthyer në një sfidë thelbësore për bizneset shqiptare veçanërisht gjatë këtij viti.
74% e sipermarresve vendas shprehen se hasin vështirësi në sigurimin e fuqisë punëtore, referuar sondazhit më të fundit mbi disponueshmërinë dhe cilësinë e fuqisë punëtore të zhvilluar nga Këshilli i Investimeve.
Raporti analizon mospërputhjet në raportin punëdhënës-punëmarrës dhe përfshin rreth 250 sipërmarrës dhe 260 të rinj të anketuar gjithsej.
Nga njëra anë, sipërmarrësit rendisin si arsyen kryesore të këtij ngërçi, mospërputhjen e sistemit arsimor me nevojat e sektorit privat, sa i përket pritshmërive në aspektin e kualifikimit të fuqisë punëtore.
Nga krahu tjetër, edhe të rinjtë kanë kërkesat e tyre ndaj punëdhënësve. Pagat e ulëta mbeten faktori dominues i pakënaqësisë dhe dekurajimit të tyre nga tregun lokal, çka favorizon opsionin e largimit nga vendi apo emigrimin drejt shteteve kryesisht Europiane.
Sfidat e sipërmarrësve shqiptarë/punëdhënësi
Rreth dy vjet që nga fillimi i pandemisë dhe në vijim, një numër i konsiderueshëm punëdhënësish janë ende duke luftuar për të gjetur talente. Por, ndërsa konkurrojnë për të gjetur talente, aplikantët që paraqiten për intervista janë të paktë në numër.
Sipas sondazhit, 26% e sipërmarrësve rendisin si problematikën më shqetësuese sa i përket punonjësve, kulturën e punës, çka për drejtuesit nënkupton përgjegjshmëri, korrektësi dhe komunikimin ndaj vendit të punës. Si faktorin e dytë më të rëndësishëm, 21% e sipërmarrësve rendisin kualifikimim e papërshtatshëm të fuqisë punëtore. Ndërkohë që 16% e tyre shprehen se punonjësit iu largohen fill pasi marrin trajnimet e duhura pranë kompanive të tyre.
Nga anketimi i mësipërm rezulton se 1/3 e bizneseve nuk kanë kontaktuar askënd për të siguruar punonjës, ndërkohë që 2/3 e subjekteve kanë arritur të sigurojnë një bashkëpunim efektiv me universitetet, agjensitë e punësimit dhe zyrat e punës.
Koordinimi Institucione-Sipërmarrje dhe zgjidhjet
Raporti jep rekomandime për disa nga masat që mund të ndërmerren për të menaxhuar më mirë këtë mospërputhje kërkesë-ofertë në tregun e punës? Është e rëndësishme që sipërmarrësit të investojnë për qëndrueshmëri të stafeve aktuale duke përmirësuar paketat e shpërblimit, shëndetit dhe mirëqënies së punonjësve, riaftësim të soft-skills-eve dhe strukturim më të mirë të mundësive për karrierë.
Nevojitet një përmirësim i kulturës së punës në kuadër të një perspektivë më të qëndrueshme sa i përket punësimit, pasi pavarësisht nga ekzistenca e programeve te nxitjes së punësimit, sipërmarrjet deklarojnë mungesë informacioni për mundësitë ë përfitimit prej tyre.
Me qëllim përmirësim të mendësisë të të dyja palëve drejt krijimit të vlerave të kapitalit njerëzor, sipërmarrjet mund të bashkëpunojnë më dhomat apo shoqatat e biznesit që organizojnë trajnime, workshope apo paketa specifike me fokus mentalitetin e një drejtuesi.
Nevojitet akses i shtuar në punësim duke përfshirë institucionet shtetërore si AKPA dhe rritje e rolit të zyrave të punës në nivel vendor me qëllim tërheqjen e një game të gjërë punëdhënësish e punëkërkuesish.
Së fundmi, nevojitet më tepër bashkëpunim dhe koordinim mes aktorëve në mbështetje të tregut mes Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, pushtetit lokal, zyrave të punësimit, shkollave profesionale, qendrave të formimit profesional, dhomave të tregtisë dhe biznesit, agjencive private të punës dhe sipërmarrjeve shqiptare. / Përgatiti: Erisa Meçolli/MONITOR
Zëdhënësja e PD, Floriana Garo ka reaguar në lidhje me aksionin e SPAK i cili ka nxjerrë 11 urdhër-arreste për aferën e inceneratorëve.
Në deklaratën për shtyp nga selia e PD, Garo theksoi se SPAK i shërbeu sot publikut fiaskon e radhës, të cilën u mundua ta mbulonte me 11 urdhër-arreste, pasi kokat e vërteta janë Engjëll Agaçi, Erjon Veliaj, Arben Ahmetaj dhe Edi Rama.
Deklaratë e zëdhënëses së PD Floriana Garo
SPAK i shërbeu sot publikut fiaskon e radhës, të cilën u mundua ta mbulonte me 11 urdhër-arreste.
Të 11 emrat, hiq Mirel Mërtirin që është presta nome i Edi Ramës në aferën e inceneratorëve, nuk janë gjë tjetër vecse cironka në detin e zi të hajdutërisë qeveritare.
Partia Demokratike nuk mund të pajtohet me masakardën që fshehin 11 urdhër – arrestet e SPAK!
Nuk mund të bëjë sikur nuk e sheh ‘lojën e medemekut’, që prokurorët specialë luajnë në kurriz të intersave të publikut.
Shërbëtorët e pallatit, që u listuan sot si të kërkuar, apo u arrestuan disa prej tyre, kanë fajin e pjesëmarrjes në skemë, por nuk janë ata, as skema dhe as hartuesit dhe përfituesit e saj.
SPAK-u e lëvizi bishtin, por jo për të gjetur rrënjet e skemës dhe aferës qindra milionëshe të inceneratorëve, por për t’u marrë me bishtat që kanë tepruar, dënimi i të cilëve ruan kokën e përgjegjësve të vërtetë.
Sa kohë SPAK nuk i shkon në thelb problemit, publiku mbetet i gënjyer, taksat e tyre të vjedhura, përgjegjësit e pandëshkuar.
Nuk e ha kush më pjatën e ftohtë të arrestimeve dhe urdhër- arresteve të bishtave të korrupsionit, ndërkohë që koka vërtitet në Shqipëri duke i konsideruar shqiptarët si “paçe këmbësh”.
Pa Engjëll Agacin, Erion Veliajn, Arben Ahmetajn dhe Edi Ramën në satërin e drejtësisë, kokat e tjera nuk bëjnë asgjë më shumë se përforcojnë dyshimin se SPAKU është SKAP-i i partisë.
Jo më shumë se një hekurishte e sistemit, e cila po nuk punoi, si një lavatriçe e vjetër duhet çuar për skrap.
Partia Demokratike nuk ka sot një thirrje për të bërë, por e bëjmë këtë dalje në respekt të publikut. Thirrjet në vesh të shurdhër do të zëvendësohen me aksion.
Mjafton të përsërim se 430 milion euro nuk është një shumë të cilën mund ta lëvizin bishtat, si ata që u listuan sot nga SPAK. Një shumë e tillë nuk është barrë për Gentianin, Arjolën, Robertin, Reganin apo Jurin.
JO. Ata kanë futur dicka në xhep, por vjedhja duhet kërkuar në llogaritë offshore të Engjëllit, Erionit, Arbërit dhe Edit.
SPAK ka ndërmarrë sot një aksion në lidhje me çështjen e inceneratorëve.
Gazetarja Klodiana Lala raporton për BalkanWeb se në pranga ranë 5 persona. Ndërkohë, SPAK ka lëshuar 11 urdhër arreste, ndërsa është konfirmuar që 5 prej tyre tashme ne kerkim ndodhen jashte territorit shqiptar. Po ashtu mësohet se mes personave që është lëshuar urdhër-arrest është dhe Mirel Mërtiri. Operacioni është zhvilluar nga BKH dhe Operacionalja. Operacioni ne vijim e siper per kontroll banesash.
Detaje të reja janë zbardhur lidhur me zbulimin e fermës me kanabis në zonën Kutalli në Berat.
Burime bëjnë me dije për Syri TV se Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur hetimet për serën me kanabis të zbuluar pak ditë më parë.
AMP ka nisur marrjen në pyetje të efektivëve të policisë, pasi ka dyshime se kanë pasur djeni se në sera përpunohej kanabisi dhe nuk e kanë raportuar aktivitetin kriminal tek drejtuesit e tyre.
Në sajë të këtyre hetimeve, pritet që në pyetje të merret zinxhiri komandues i policisë së Beratit, si dhe specialistët e policëve të zonës ku ndodheshin serat.
Serat me lëndë narkotike u zbuluan nga policia në datën 10 nëntor, gjatë operacionit të koduar “Stuhia”. Policia gjeti dhe sekuestroi brenda këtyre serave 8 thasë me boçe kanabisi me peshë 871 kilogramë dhe 700 arka të mbushura me kanabis në proces tharje.
11 persona u arrestuan nga policia gjatë aksionit, të cilët dyshohen si organizatorë të kësaj veprimtarie kriminale.
Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev gjendet në një vizitë zyrtare në Shqipëri, ku së pari ka takuar Presidentin Bajram Begaj duke folur për thellimin e raporteve dypalëshe.
Gjatë fjalës së tij, Begaj kërkoi nga Aliyev njohjen e Kosovës prej Azerbajxhanit dhe mos pengimin e saj në rrugëtimin drejt anëtarësimit në organizatat e rendësishme ndërkombëtare.
“Përsa i përket rajonit tonë, i shpreha Presidentit mik Aliyev qëndrimin se Kosova është tejet e rëndësishme për Shqipërinë. Stabiliteti dhe përparimi demokratik i Kosovës është i rëndësishëm jo vetëm për ne, por për qëndrueshmërinë dhe përparimin e gjithë rajonit tonë.
Ne inkurajojmë qeverinë e Azerbajxhanit që tëmbështesë dhe mos pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizma të ndryshëm ndërkombëtarë, si nëKëshillin e Evropës apo njohjen e dokumenteve tëudhëtimit të qytetarëve të Kosovës.
Jo më pak i rëndësishëm është bashkëpunimi ndër-parlamentar. Krijimi i Grupit Parlamentar të Miqësisë mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit duhet të ndiqet nga hapa të tjerë, që krijojnë mundësitë për intensifikim të bashkëpunimit mes dy parlamenteve tona”, tha Begaj, ndërkohë që Aliyev kërkoi nga Shqipëria që të mbështesë kërkesat e Azerbajxhanit për sanksione ndaj Armenisë për çfarë po ndodh në rajonin e Nagorni Karabakh.
Aliyev përmendi edhe faktin se Shqipëria është një rrugë kalimi për gazin azer në drejtim të Europës.
“Deri në 2027 do të dyfishojmë furnizimin me gaz për Europën dhe ky gaz do të kalojë përmes Shqipërisë”, tha presidenti azer duke shtuar se Azerbajxhani ka sasi të mëdha gazi dhe mund të dyfishohet sasia e gazit që transportohet nga vendi i tij në drejtim të Europës./ dita
Institucioni i Avokatit të Popullit ka nisur një hetim për policët që shoqëruan dhunshëm një qytetar në protestën e 12 nëntorit.
Në njoftimin e shpërndarë për mediat, Avokati i Popullit thekson se institucioni është penguar të kryejnë detyrën e tyre nga dy punonjës të Policisë së Shtetit të indentifikuar nga ana jonë.
‘Avokati i Popullit e dënon dhe e konsideron të papranueshme këtë qasje ndaj institucionit tonë kushtetues, më të rëndësishmit në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe ka nisur hetimin në lidhje me këtë incident’, thuhet në njoftim.
NJOFTIM I AVOKATIT TË POPULLIT PAS MONITORIMIT TË PROTESTËS SË 12 NËNTORIT NË KRYEQYTET
Avokati i Popullit ka monitoruar protestën e datës 12.11.2022 të zhvilluar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” nga parti politike të opozitës.
E drejta për protestë paqësore është një e drejtë kushtetuese dhe Avokati i Popullit vlerëson kontributin e të gjithë aktorëve, që tubimi i datës 12 nëntor, në tërësinë e tij, i plotësoi këto parashikime.
Përfaqësues të institucionit tonë kanë qenë të pranishëm në terren, përgjatë gjithë zhvillimit të protestës duke monitoruar nga afër sjelljen e të dyja palëve dhe për të konstatuar çdo abuzim eventual me të drejtat që u garantohen qytetarëve apo çdo tejkalim në ushtrimin e të drejtës për protestë.
Nga ana tjetër, ndërkohë që vlerëson bashkëpunimin me institucionin e Policisë së Shtetit në kuadrin e mandatit te tij për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve gjatë inspektimit e monitorimit të gjendjes në komisariatet e policisë, Avokati i Popullit konstaton se e njëjta gjë nuk ndodh me monitorimin e kryer në terren gjatë protestës.
Konkretisht, institucioni gjen rastin të shprehë shqetësimin në lidhje me një incident, gjatë ndalimit të një qytetari, pjesëmarrës në protestë.
Ndërkohë që përfaqësues të Avokatit të Popullit, me identifikimin përkatës kanë kërkuar të monitorojnë nga afër procesin e shoqërimit të këtij qytetari, ata janë penguar të kryejnë detyrën e tyre nga dy punonjës të Policisë së Shtetit të indentifikuar nga ana jonë.
Avokati i Popullit e dënon dhe e konsideron të papranueshme këtë qasje ndaj institucionit tonë kushtetues, më të rëndësishmit në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe ka nisur hetimin në lidhje me këtë incident. syri.net
Partia Demokratike ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese padinë për shfuqizimin e ligjit të miratuar nga qeveria qe jep me koncension Parkun e Butrintit. Deputetja Ina Zhupa teksa bëri me dije se padia është firmosur nga 36 deptuetë të opozitës, denoncoi praktikat që janë ndjekur për dhënien e këtij koncensioni, si dhe hodhi akuza në drejtim të anëtarit të bordit drejtues Richard Hodges.
Syri Tv
36 deputetë të opozitës kanë dorëzuar këtë fillim javë në Gjykatën Kushteteuese padinë ndaj koncensionit të Parkut të Butrintit.
Pas dorëzimit të padisë, deputetja demokrate Ina Zhupa e cilësoi këtë koncesion në dëm të trashëgimisë kulturore e historike të Shqipërisë.
“Duke qenë se çështja është me shumë rëndësi ne kemi ardhur me 36 firma deputetësh, nga të cilat 32 janë të PD, 3 të PL dhe një është deputeti Dashamir Shehu. Kemi ardhur të bashkuar në këtë kauzë sepse është një kauzë që lidhet me identitetin shqiptar, me trashëgiminë kulturore, që lidhet me vjedhjen e asaj që është pasuria e përbashkët publike”.
Ina Zhupa, deputete e PD
Ina zhupa denoncoi praktikat që janë ndjekur për dhënien e këtij koncensioni.
“Së pari, është shkelur neni tre i Kushtetutës, është shkelur Konventa e Parisit. Fondacioni nuk ekziston as ligjërisht në rregull me letrat që kërkon shteti. Nga ana tjetër kemi evidentuar shkeljen tjetër të Kushtetutës, heqjen e auditimit nga KLSH”.
Ina Zhupa, deputete e PD
Zhupa hodhi akuza edhe në drejtim të anëtarit të bordi drejtues, Richard Hodges.
“Pjesë e bordit ekzekutiv është antishqiptari Richard Hodges i cili me deklaratat që ju keni transmetuar, dëmton atë që është pasuria e shqiptarëve, atë që është identiteti i shqiptarëve pasi e quan Butrintin vend grek, shqiptarët i quan të ardhur në vitin 1913”.
Ina Zhupa, deputete e PD
Sipas Deputetes Ina Zhupa me këtë padi kundër këtij koncensioni do të fitojnë qytetarët shqiptarë.
Besim Ndregjoni, aktivist i të drejtave të njeriut, në studion e News24 ka deklaruar se i është mohuar e drejta për të kandiduar për postin e Avokatit të Popullit.
Ai ka deklaruar se një akt i tillë është një akt politik, dhe akuzon kreun e grupit parlamentar të PD Enkelejd Alibeaj se i ka mohuar të drejtën për të garuar duke shkelur kështu edhe Kushtetutën.
Zoti Ndregjoni ka sqaruar se grupi i deputetëve të drejtuar nga Alibeaj, kanë bërë një mbledhje dhe kanë marrë një vendim të tillë.
“Është mohuar politikisht. Shkuam në Komisionin e Ligjeve, u mbështeta nga 33 deputetë për të kaluar për votim në Parlament. Një grup prej 15 vetash të drejtuar nga Alibeaj, bëjnë një mbledhje si përfaqësues të opozitës, kur në fakt nuk janë sepse opozita ka 59 deputetë. për narcizëm politik klasor ndaj kandidaturës të të përndjekurve politik, u eliminuan të gjitha kandidaturat që plotësonin kriteret ligjore, dhe thanë do kandidojmë vetëm dy vetë, ata që mendonte Alibeaj. Deputeti Belind Këlliçi bëri deklaratë në Parlament dhe dënoi këtë akt politik.
Gjithçka u bë në fshehtësi. Ne nuk na u tha asgjë për mbledhjen që u bë. Si mund të merret një vendim politik mbi Kushtetutën.
Me delirin e udhëheqësit të opozitës kur në fakt nuk është, pasi as nuk është zgjedhur dhe as ka shumicën e partisë, si lejohet pas 32 vitesh të shkelet Kushtetuta. Si mund të dhunosh te drejtën të garojë një person që përfaqëson një nga grupet më të dhunuar gjatë diktaturës. kush je ti që në emër të një mandati që e ke marrë me votat e të përndjekurit politik të na ndalosh të garojmë?
Ne të përndjekurit politik nuk urrejmë, e respektojmë kryeministrin edhe pse nuk e votuam.
Si mund të jem i qetë unë si i përndjekur politik kur ka 9 vjet ky kryeministër nuk ka takuar asnjë përfaqësues tonë.
Ka 3 vjet që nuk jep asnjë shans që të ndërtohet parcela kombëtare e 6 mijë të zhdukurve në Tiranë, sot nuk ka një ditë përkujtimi për këta të zhdukur.
Ndërkohë na mohohet garimi dhe thonë do kandidojë shoferi im”, tha ai.
Eksperti i sigurisë dhe kriminalogjisë, Ervin Karamuço, duke folur në emisionin “Log” dha një detaj shumë të rëndësishëm mbi atë se çfarë po ndodh në Kosovë.
Karamuço tha se pikërisht ditët që në Beograd zhvillohej “Panairi i verës”, në krahun tjetër të Serbisë po zhvillohej një nga stërvitjet më të mëdha ushtarake me armët më moderne ruse, ku instruktorë ishin pikërisht mercenarët e “Vagner”.
Sipas tij ky grup i rrezikshëm i cili është vendosur tashmë në Nish të Serbisë, po planifikon skenarë lufte në të gjithë Ballkanin.
“Qendra më e frikshme që planifikon të gjitha skenarët deri në luftë është qendra e emergjencave civile në Nish të Serbisë. Ata bëjnë plane edhe për Malin e Zi edhe për Kosovën edhe për Shqipërinë. A e mbani mend panairin e verërave në Beograd, e dini çfarë ndodhi?
Atë ditë që zhvillohej panairi në Beograd në veri zhvillohej një nga stërvitjet më të mëdha ushtarake me armë ruse dhe instruktorët më të mëdhenj që kishin ardhur ishin nga Vagneri. Stërvitja e ka emrin “Vëllazëria Sllave”, deklaroi Karamuço. syri.net
Gjuhëtarët patën arsye për të qeshur pasdreken e të enjtes në Tiranë, kur në një konferencë të zhvilluar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë, kryetari i akademisë Skënder Gjinushi, citoi një gjuhëtar të huaj, Manuel Zrinzo Caruana, i cili thuhet se është një maltez “antropolog, politolog dhe burrë shteti”, i cili ka argumentuar mes të tjerash se ka një lidhje thelbësore mes unifikimit të gjuhës, në një proces si ai i vitit 1972, me ekzistencën e shtetit të fortë.
“….studiuesi Emanuel Karuana, gjuhëtar dhe antropolog, në librin e tij Shteti dhe drejtshkrimi, i ka renditur qartazi faktorët shtetërorë, si faktorë përshpejtues në njejësimin gjuhësor, veçanërisht në Evropë, pasi asnjë gjuhë nuk është vetënormësuar,” deklaroi Gjinushi në fjalën e tij, në praninë e kryeministrit Edi Rama, i cili më herët ka deklaruar se prania e Gjinushit në Akademinë e Shkencave, ia ka hequr atij alergjinë që kishte nga ky institucion.
Vetëm se ka një problem! Gjinushi ka cituar një libër që në fakt nuk ekziston dhe një autor i cili është një personazh i sajuar nga një blog në blogun kolektiv Peizazhet e fjalës.
Më 26 janar të këtij viti, blogeri Gjeto Bashari publikoi një shkrim me titull Rrënjët drejtshkrimore të shtetit, në të cilin fliste për një libër me titullin Shteti dhe drejtshkrimi. Sipas autorit, ky libër është botuar nga shtëpia botuese Uqbar, dhe ai gjendet në shitje në libraritë e Ballkanit Perëndimor. Bashari, nga ana e tij prezantohet në blog si profesor i lëndës Hyrje në Ballkanistikë, në Universitetin Oriental të Tiranës. Sipas blogut, autori i librit, Manuel Zrinzo Caruana, “qëmtuar lidhjet mes drejtshkrimit – ose kodifikimit të gjuhës zyrtare të shkruar – dhe shtetit”, dhe ka dalë në konkluzionin se se ka një lidhje të fortë mes standardit letrar dhe shtetformimit.
“Shtetet që kanë arritur të ruajnë dhe të riprodhojnë drejtshkrimin solid të dokumentacionit, shpjegon Caruana, janë edhe më të suksesshmet në klasifikimet botërore; nga ana tjetër, shtetet e suksesshme ia dalin më mirë se të tjerat që t’ua mësojnë brezave të rinj drejtshkrimin dhe t’u ngulitin bindjen e rëndësisë së zbatimit të tij. Përkundrazi, rritja e numrit të gabimeve drejtshkrimore për njëqind mijë fjalë të shkruara shkon paralelisht me dobësimin e shtetit dhe rënien e të gjithë parametrave kryesorë në funksionim,” shkruan Bashari.
Problemi është që Gjinushi duket se ka cituar një blog sarkastik mbi një libër që nuk ekziston dhe e ka cituar këtë si burim shkencor.
Gjinushi nuk iu përgjigj kërkesave të BIRN për koment.
Gjuhëtarja Ledi Shamku Shkreli, ishte një nga personat që vunë re gafën e Gjinushit.
“Libri “Shteti dhe Drejtshkrimi” është një sajesë e sarkazmës së Gjeto Basharit, i cili e sajon ekzistencën e ketij gja-libri thjesht e vetëm për t’u tallur me hiperkontollin e shtetit në punë të gjuhës, ja si kjo që kërkon të bëjë Shkencizma sërish”, shkroi Shamku Shkreli në faqen e saj në Facebook.
“Dhe kur sarkazmën e plagjiaturon ish-Ministri i Arsimit të Ramiz Alisë dhe njëherit Kryeakademiku i sotshëm, ajo s’është sarkazmë, është Kryesarkazmë!,” shtoi ajo.
Kongresi i Gjuhës Shqipe në vitin 1972 krijoi standardin e sotëm letrar në një proces oruellian që ndaloi dialektet përmes imponimit të një gjuhe të vetme në libra, kinema, teatro, televizione apo media.
Para imponimit të standardit, të shkruarit shqip ishte e larmishme dhe pasqyronte pasurinë gjuhësore nga jugu në veri të vendit si dhe në trojet shqipfolëse jashtë kufijve. Tridhjetë vjet pas rënies së komunizmit, gjuha zyrtare vijon të jetë në fuqi ndërsa Akademia e Shkencave, duket se ka mbetur një nga të paktat institucione në vend ku komunizmi nuk ka rënë.
Shkrimtari britanik George Orwell vdiq 22 vjet para vendosjes së standardit zyrtar në Shqipëri, por në librin e tij 1984, ai përshkruan se si partia krijon një gjuhë të ngurtë, e cila ka shumë më pak fjalë se sa gjuha e zakonshme dhe që ka për synim final të shfarosë aftësinë e njeriut për të menduar përtej sloganeve që i fut në kokë partia përmes propagandës. Orwell e quan këtë Gjuha e Re, fjalori i së cilës zvogëlohet vazhdimisht dhe vazhdimisht ndërsa të gjitha nuancat zhduken. Puna kryesore e gjuhëtarëve në këtë sistem ishte të shkatërronin fjalë, sepse duke shkatërruar fjalët e tepërta, diapazoni i të menduarit detyrimisht ngushtohet dhe njerëzit bëhen më të bindur e më të nënshtruar ndaj partisë.
Plagjarizma besohet se është një problem i rëndë i botës universitare shqiptare, aq sa në një rast, ish-ministrja e Arsimit Besa Shahini, propozoi ndryshime ligjore për të mundësuar verifikimin e vlefshmërisë së titujve akademikë.
Ndërkohë, Gjeto Bashari është një bloger që ka shkruar edhe për disa libra të tjerë që nuk ekzistojnë. Njëri prej tyre quhet; Të çafsha ballin – histori e shkurtër e rrugaçërisë në Shqipëri ndërsa tjetri, Anadolli: nënvetëdija e modernitetit shqip./BIRN
Nënkryetari i Partia Demokratike ka deklaruar sot para mediave se PD ka çuar në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen për Portin e Durrësit.
Ai tha se marrëveshja për Portin e Durrësit është një megaaferës korruptive dhe një grabitje e tillë e pasurisë publike për interesa privatë
“Siç e kishim premtuar PD depozitoi në Gjykatën Kushtetuese padinë kundër megaaferës korruptive, për marrëveshjen për Portin e Durrësit.
Një grabitje e tillë e pasurisë publike për interesa private nën petkun e investitorëve strategjik por me kompani offshore, pikërisht këtë ne e godasim në Gjykatën Kushtetuese, shpresojmë që Gjykata do qëndrojë në nivelin që pritet dhe të bëjë detyrën e saj”, tha ai.bw
Akademia e shkencave të Shqipërisë dhe ajo e Kosovës kanë festuar këtë të enjte 50-vjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit të nëntorit 1972, që shërbeu si themel i një gjuhe standarde shqipe.
Me praninë e përfaqësuesve nga trojet shqiptare, Presidenti i Republikës Bajram Begaj nën kujdesin e të cilit u mbajt konferenca jubilare, e quajti arritje.
“Kongresi i Drejtshkrimit në 1972-in mbetet një prej atyre zhvillimeve në të cilën aspekti kombëtar fitoi mbi atë ideologjik, një zhvillim i rëndësishëm për rrugëtimin e gjuhës shqipe moderne dhe unifikimin e saj në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Mal të Zi e diasporë. Gjuha e njësuar shqipe është testamenti i pesë shekujve histori shkrimi të shqipes, i zhvillimit intelektual mbarëshqiptar, i pjekurisë shkencore e atdhetare të botës sonë”, tha Presidenti Begaj.
Përkundër kreut të shtetit, fjala e kryeministrit të vendit Edi Rama, u nda mes batutave dhe kritikave.
Ndërsa gjeti të pavend në sallë flamurin e NATO-s, ai e zhveshi drejtshkrimin nga ngjyresa komuniste.
“Akademia e Shkencave e ka çelur siparin e rishkrimit të fjalorit dhe u desh një komunist në krye të Akademisë së Shkencave që ta fillonte punën me themel. Mos u shqetësoni ca do thonë antikomunistët që janë trashëgimia më e tmerrshme që lanë komunistët .Tre flamujt të qëndrojnë bashkë si flamuj që mishërojnë ndër të tjera dhe në të njëjtën kohë, një pakt të vështirë siç është gjuha. E dimë shumë mirë por rreziku gjithnjë e më i madh është ta marrim si diçka që ka qenë gjithmonë aty. I vetmi flamur që nuk kuptova pse është është ai i NATO-s. Ua thashë edhe organizatorëve se deri tek flamuri i BE e kuptoj. Akademia ka shpëtuar edhe nga ankthi i madh i luftimit të komunizmit”, theksoi Rama.
50 vite më parë drejtshkrimi u vendos nga gjuhëtarët, por në një kontekst politik ku Partia Komuniste, ishte mbi të gjitha, edhe mbi vetë shkencën, çka shpesh ka sugjeruar përjashtimin e gegërishtes nga standardi.
Kreu i akademisë, unifikimin e sheh në BE.
“Shqiptarët, të orientuar tërësisht drejt një bashkësie të qytetëruar evropiane, siç është Bashkimi Europian, do të bëhen pjesë e saj jo si toskë e gegë, por si shqiptarë e si një komb.”, u shpreh Gjinushi.
Akademia e Shqipërisë dhe e Kosovës e trajtuan vetëm si festë përvjetorin.
Ndërkaq, zërat kritikë kanë sugjeruar se përmes standardit me bazë toskërishten, shqiptarët mbi lumin Shkumbin u përjashtuan ose u trajtuan si qytetarë të kategorisë së dytë.
Zërat e akademikëve mbi gegnishten janë të larmishëm, e po aq edhe mbi reflektimin.
Rrokaj: Vendimet s’janë te përkryera, ka qejf mbetje sepse gjuha më së pari është çështje emocionale. Mund të kishte qenë edhe gegnishtja por si gegnisht edhe toskërisht, nuk është më pak shqip
Shkurtaj: Gjuha? E bene gjuhëtaret, jo ne diktatin e partise. Krijimi i gjuhës së shtetit në çdo vend ka shkuar nën drejtimin e atyre që kanë pasur shtetin në duar, por gjuhën nuk e kanë bërë shtetarët por shtetarët, nuk besoj se duhet thënë nën diktatin e partisë. Është bërë kur Shqipëria sundohej nga një parti shtet por Kongresi u bë nga gjuhëtarët.
Shaban Sinani: Është njësuar në një periudhë totalitare, por në këtë ngjarje primati i ka takuar aspektit kombëtar në kushtet kur provokohej që shqipja të kishte dy versione letrare: shiftarski dhe gjuha shqipe. Nuk ka gjuhë letrare që të jetë krijuar si një shumatore e të gjitha dialekteve. Gjuha letrare është konventë jo kompromis.
Bahri Beci: Qe në 1944 ishte e qartë që u refuzua gegërishtja zyrtare, siç kishte qenë në vitet më parë dhe mbi bazën e gjuhës do të ishte toskërishtja. Dhe kjo ka qenë strategji. Tashmë kemi një gjuhë letrare dhe është e rëndësishme që e kemi dhe kjo na bashkon
Një tjetër konferencë do të mbahet në Kosovë këto ditë, duke u marr më në detaje me problematikat me të cilat përballet shqipja.
Me kërkesë të qeverisë Kuvendi votoi të mërkurën futjen me procedurë të përshpejtuar projektligjin për marrëveshjen e ndërtimit të Portit të Durrësit, një investim 2.1 miliardë euro, që do e kthejë portin e vjetër në një atraksion turistik me ndërtetsa të larta dhe port jahtesh.
Qeveria solli në parlament një projektligj me 6 nene dhe një relacion, por jo tekstin e marrëveshjes mes Ministrisë së Financnave dhe tre kompanive; Eagle Hills Real Estate Development, Albanian Seaports Development Company, sh.a. dhe Nshmi Development L.L.C, për projektin e investimit strategjik “Marina & Jahtet e Durrësit”.
Projekt-ligji parashikon përjashtimin nga detyrimi për të paguar taksën e ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet e reja dhe kontributin e strehimit social. “Vlera e detyrimit të përjashtuar është pjesë e kontributit të shtetit shqiptar në investim, sipas marrëveshjes së përcaktuar në nenin 1, të këtij ligji”- thuhet në dokument.
Për realizimin e këtij investimi qeveria do t’i falë “Albanian Seaports Development Company” pronat e paluajtshme shtetërore ku do të ndërtohet.
Po ashtu qeveria merr përsipër dhënien e lejeve, licencave dhe akteve të tjera administrative të nevojshme për realizimin e projektit brenda një afati prej jo më shumë se 150 ditësh.
Në projektligj thuhet se së bashku me të janë edhe shtojcat e marrëveshjes, por deputetët e opozitës thanë se nuk është paraqitur asnjë dokument i tillë duke akuzuar qeverinë se po e mban sekret dhe po fsheh një aferë korruptive.
Kundërshtimi i opozitës për futjen e projektligjit me procedurë të përshpejtuar u përballë me një lum epitetesh fyesë dhe sharje nga kryeministri Edi Rama.
Kryetari i grupit të PD-së, Enkelejd Alibeajt, tha se ligji ishte me vlerën më të lartë që kishte kaluar në 30 vite demokraci nuk mund të miratohej brenda një jave pa transparencë. “Jeni duke prerë shiritin e një afere ekonomike që shumë shpejt mund të kthehet në një aferë korruptive”- deklaroi ai në Kuvend, duke ngritur pyetje mbi faljen e tokës shtetërore.
“Jeni duke shitur diku tej 1 milionë metër katror në zemër të Shqipërisë”- iu drejtua ai kryeministrit Edi Rama dhe aludoi se shuma e madhe e parave do të mbyllë gojën e shumë deputetëve, analistëve e organizatave të shoqërisë civile.
Ndërsa ish- kryeministri Sali Berisha tha se porti i Durrësit po shkatërrohet për interesa të Aleksandër Vuçiçit.
“Prapa aferës së Durrësit qëndron Karriç, i sanksionuar nga SHBA, BE dhe Britania e Madhe dhe që tani bëjnë biznes me holdingun e Emirateve të Bashkuara së bashku me Edi Ramën dhe Aleksandar Vuçiç”- akuzoi ai në Kuvend.
Në replikë kryeministri Rama tha se investimi e transformon Durrësin në një nga pikat më të rëndësishme të turizmit në Mesdhe dhe se “nuk kemi kohë për të humbur se kemi më shumë se një vit që e negociojmë këtë kontratë”.
Rama i quajti opozitarët të “të pafytyrë”,”bedelë”, “pa fe”, “pa atdhe”, që sipas tij, akuzojnë “për pazar dhe për aferë një personalitet dhe një kompani nga më të mëdhatë e botës”.
Në relacionin shoqërues të projekt-ligjit bëhet një përshkrim i kushteve të marrëveshjes mes Ministrisë së Financave dhe kompanive investuese, ku bëhet e ditur krijimi i shoqërisë tregëtare “Albanian Seaports Development Company” me pjesëmarrës shtetin si partner.
Sipas qeverisë shteti do të ketë përfitim nga pjesëmarrja në këtë investim dhe do të ketë të mbrojtura kuotat e tij nga risku.
“Projekti i konceptuar si një projekt i integruar turistik do të bashkëzhvillohet në një sipërfaqe trualli prej 812 600 m2 në Portin e Durrësit si dhe në Marinën e portit. Projekti do të zhvillohet në dy faza relativisht të ndara nga njëra-tjetra në hapësirë dhe në kohë, por që do të jenë të integruara në përfundim të projektit. Buxheti/kostoja e investimit të projektit është parashikuar të jetë €2,081,347,054”- thuhet në relacion.
Financimi i investitorit strategjik do të sigurohet, sipas relacionit, përmes kombinimit të: financimit të kapitalit nga Eagle Hills-i; financimit të borxhit të kontribuuar nga, ose në emër të, Eagle Hills-it; të ardhurave e shitjeve të grumbulluara prej klientëve nga investitori strategjik; huamarrjes nga institucionet financiare, dhe investimeve nga investitorë palë e tretë, të organizuara nga Eagle Hills-i.
Për garancitë e investimit, marrëveshja parashikon që Eagle Hills t’i dorëzojë qeverisë shqiptare pasqyrën e vërtetuar të llogarisë së bankës, ku evidentohet se aksionariët ose ortakët direkt ose indirekt mbajnë në llogaritë e tyre një shumë që korrespondon me tridhjetë për qind (30%) të financimit të nevojshëm për zhvillimin e projektit.
Në relacion parashikohet që marrëveshja për “Marinën Durrës” detyron investitorin strategjik që t’i paguajë shtetit një tarifë vjetore të barabartë me 2 për qind të xhiros vjetore që do të grumbullojë nga Marina, bazuar në pasqyrat financiare për çdo vit financiar./BIRN
Kryeministri Edi Rama u përfshi në një debat të ashpër në Kuvend, ku lëshoi një ‘lumë’ sharjesh ndaj deputetëve të opozitës. Nga foltorja e Kuvendit ku foli për marrëveshjen për Portin e ri të Durrësit, Kreu i Qeverisë për 47 minuta bëri një seri etiketimesh dhe fyerjesh për deputetët e opozitës.
Rama përdori të paktën në 21 raste fjalën “bedelë”, teksa i drejtua kundërshtarëve të tij politikë, duke shënuar kështu një ‘rekord’ fyerjesh.
(Shpjegimi në fjalor: Bedel- ai që shkonte në vend të një tjetri në ushtri ose në punë të detyruar kundrejt një pagese; pagesa në vend të këtyre shërbimeve: shkoi bedel; pagoi bedelin.)
Ndër të tjera Rama iu drejtua deputetëve të opozitës me termat; “të pafe” dhe “pa atdhe”. Madje kryeministri ka shkuar deri aty sa i krahasoi deputetët si kafshë, ku tha se; “Mblidheshit si dele dhe blegërinit” apo “S’dilni dot nga psikoza e bishtit”.
BalkanWeb sjell më poshtë disa prej fyerjeve që Rama drejtoi ndaj deputetëve të opozitës:
“Bedelë”, (21 herë)
“Pusho”, (10 herë)
“Gjel deti Peqini’, (8 herë)
“Pa atdhe”, (6 herë)
“Pa din e iman”, (6 herë)
“Të pafe”, (6 herë)
“Të shitur”, (5 herë)
“Të pafytyrë”, (4 herë)
“Po të kishit fytyrë”, (3 herë)
“Si s’ju vjen turp”, (2 herë)
“Ju kanë tërhequr prej hundësh”, (2 herë)
“Je aksident”, (2 herë)
“S’jeni asgjë tjetër, veçse një zgjatim, bisht i asaj krijesës non-grata”, (2 herë)
“Bartësit e mallkimit që nga 1912”, 2 herë
“Jeni të mallkuar” ( 3 herë)
“Ju jeni ca të mbaruar”, (1 herë)
“Nuk kuptoni pse jeni këtu”, (1 herë)
“Mblidheshit si dele dhe blegërinit”, (1 herë)
“Gojën e keni të shkëputur nga truri”, (1 herë)
“Kastravecë do dilni nga kjo histori”, (1 herë)
“Llazore”, (1 herë)
“Mjerë Shqipëria për ty dhe ata si ti”, (1 herë)
“Zbardhët dhembët”, (1 herë)
“Bëni gërr-gërr”, (1 herë)
“Ju kanë rrahur si këlyshë”, (1 herë)
“Ju keni dalë duarsh prindërve”, (1 herë)
“Jeni turpi i tyre çdo ditë që hapni gojën”, (1 herë)
“S’lini dy gurë bashkë”, (1 herë)
“Ju kanë futur një dru që s’e merrni veten më”, (1 herë)
“S’dilni dot nga psikoza e bishtit”, (1 herë)
“Gjykata, sportel për të rritur pazarin”, (1 herë)
“Kryebedel”, (1 herë)
“Je si miza në të ndenjurat e kalit”, (1 herë)
“Qëndroje nën të ndenjurat e kalit dhe bëjë rolin e shqiponjës”, (1 herë)
“Mos ngatërro jashtëdaljet e organizmit”, (1 herë)
“Foltore politike e katundit mizerabël”, (1 herë)
“Katundarët më mizerabël mes nesh”, (1 herë)
“S’keni flamur”, (1 herë)
“S’keni histori”, (1 herë)
“S’keni dinjitet”, (1 herë)