VOAL

VOAL

Shkarkohet edhe gjyqtari Admir Thanza, fshehu dënimin në Itali

ERALD DELIU/ KPK ka njoftuar sot vendimin për shkarkimin nga detyra të gjyqtarit te Gjykates se Larte, Admir Thanza. Vete Thanza nuk ishte i pranishem kur u dha vendimi.

***

Prokuroria e Përgjithshme ka kryer të gjitha verifikimet për gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, Admir Thanza, dhe e ka referuar dosjen e tij në Prokurorinë e Tiranës. Burimet thonë se kjo e fundit ka nisur procedim penal ndaj gjyqtarit.

 

Thanza ka fshehur një dënim të formës së prerë në Itali me 40 ditë burg dhe 100 mijë lireta gjobë. Dënimi është dhënë në vitin 1999, por gjyqtari, i cili javën që shkoi u përball me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, nuk e ka pranuar konsumimin e veprës penale. Për rastin në fjalë, gjyqtari tha se kishte marrë përsipër veprimin e ish-kunatës së tij për të shpëtuar jetën e nipit, që kurohej në Itali nga sëmundje e rëndë.

Ai u zotua se nuk e ka kryer veprën penale, për të cilën ka marrë dënimin. Megjithatë, mosdeklarimi i saj në formularët e dekriminalizimit përbën vepër penale sipas ligjit në fuqi. Karriera e gjyqtarit Thanza ka pësuar një goditje të fortë, pasi edhe DSIK e nxori të papërshtatshëm për vazhdimin e detyrës.

Sipas DSIK, Thanza ka pasur kontakte me persona të botës së krimit. Gjithashtu, gjyqtari Thanza kishte probleme edhe me pasurinë e tij. Ai ka deklaruar se një apartament në Shkodër e ka blerë me burime financiare nga shitja e dy apartamenteve të tjerë. Mirëpo, datat janë shumë konfuze. Gjyqtari Thanza ka deklaruar se apartamentin e tretë e ka blerë në prill të vitit 2000, ndërsa dy apartamentet e parë, i ka shitur në shtator të vitit 2000. Po kështu, kujtojmë se sot në orën 10:00, në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, pritet që të jepet vendimi për Thanzën.

DËNIMI

Dënimi në Itali është zbuluar nga përfaqësuesit e ONM-së, pasi gjyqtari Thanza nuk e kishte deklaruar në formularët e dekriminalizimit. Ai, bëhet kështu gjyqtari i parë që fsheh një dënim. Vetë Thanza dha shpjegime në fund të seancës, duke thënë se ka marrë përsipër veprimin e paligjshëm të ishkunatës së tij për të shpëtuar jetën e nipit, që kurohej në Spitalin e Pizës nga një sëmundje e rëndë.

“Kam tentuar me sinqeritet maksimal që ta shpjegoj edhe në e-maile, edhe në materialet që kam paraqitur, ekzistencën e dënimit. Kurrë në jetën time unë nuk mund ta bëja një gjë të tillë. Mora përsipër diçka për të mbrojtur një fëmijë të mitur. Ai është gjaku im, djali i vëllait tim. Fillimisht, kurrë nuk e dija, sepse ajo ishte një marrëveshje mes avokatit dhe prokurorit dhe që më është thënë që nuk cilësohet si dënim”, ka sqaruar Thanza javën që shkoi.

KONTAKTET

Sipas raportit të DSIK, gjyqtari Thanza është i papërshtatshëm për detyrën. Thanza nuk ka deklaruar me vërtetësi një procedim penal të ngarkuar ndaj tij për korrupsion pasiv dhe aktiv të funksionarëve që ushtrojnë detyra publike.

Kjo çështje rezulton që të jetë pushuar më 29 korrik 2016. Gjithashtu, ai nuk e ka plotësuar me korrektesë formularin përkatës, pasi nuk ka deklaruar kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar. Ky veprim, sipas KPK-së, e ngarkon subjektin me përgjegjësi për plotësim të pasaktë dhe të pavërtetë të formularin. Kështu, DSIK ka konstatuar papërshtatshmëri të subjektit për të vazhduar detyrën. Ai ka pasur kontakte me ish-kryeregjistruesin e Shkodrës në kohën që ai ishte shpallur në kërkim.

Gjithashtu, Thanza ka takuar edhe bashkëshorten e Sh.B., teksa kjo e fundit ishte nën përgjim. Pas takimit në vitin 2016 në një lokal në Tiranë, shtetasja L.H. ka telefonuar Sh.B., duke i thënë se “pallati kushton 50 mijë euro”. Prokuroria e Shkodrës nisi hetimet për gjyqtarin, por për moskompetencë, e kaloi dosjen në Prokurorinë e Përgjithshme, e cila pas dy muajsh e pushoi atë, duke mos administruar si provë një video ku shihet se gjyqtari shkëmben para me shtetasen L.H.

Rivlerësimi, shkarkohet anëtari i Kushtetueses Dizdari

Në Shqipëri, komisioni i pavarur i Kualifikimit njoftoi sot vendimin për shkarkimin nga detyra të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese Gani Dizdari

Gjyqtari Dizdari u penalizua për shkak të problemeve të vërejtura me pronësinë në një nga apartamentet në zotërim të tij si dhe të një apartamenti tjetër të blerë nga e bija. Gjithashtu ndaj tij, Komisioni ngriti dyshime për “lidhje të papërshtatshme”, për shkak të një nipi të gjykatësit i dënuar pasi kishte marrë një sasi parash për të ndërhyrë, për uljen e një dënimi në Gjykatën e Lartë, në kohën kur atje punonte zoti Dizdari.

Me vendimin e sotëm, procesi i rivlerësimit për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese konsiderohet i mbyllur. Ndërsa tre gjykatës të saj kishin dhënë dorëheqjen më parë, 4 anëtarë u shkarkuan dhe veëtm dy mundën të kalonin.

Sot një tjetër trupë e Komisionit zhvilloi seancën dëgjimore me anëtarin e Gjykatës së Lartë Artan Zeneli, ndaj të cilit gjithashtu janë hedhur dyshime lidhur me pasurinë e tij për mospërputhje mes deklaratave apo mos deklarim të një trualli. Gjyqtari Zeneli është ndërkohë një prej përfaqësuesve të lartë të gjyqësorit ndaj të cilit ambasada amerikane ndërmori vitin e shkuar masën e revokimit të vizave.

Nesër pritet vendimi për dy anëtarë të tjerë të kësaj Gjykate, Ardian Thanza dhe Tom Ndreca.

“Sot e kishim lënë të takoheshim”, Muharrem Hoxha flet për vdekjen e Fadil Hasës

Ndarja nga jeta e një prej ikonave të komedisë shqiptare në moshën 78-vjeçare, Fadil Hasa ka qenë lajm i hidhur për adhuruesit e tij por më shumë për kolegët, për ata me të cilët punoi një jetë të tërë në Estradën e Durrësit.

Mëngjesin e sotëm një telefonatë nga vajza e Fadil Hasës në telefonin e Muharrem Hoxhës, shokut të ngushtë, njeriut më të afërt të aktorit dha lajmin e hidhur. Me lot në sy ajo tha se babai i saj nuk mundi t’ia dilte.

 

Më pas Muharrem Hoxha ka njoftuar të gjithë kolegët. Ish-trupa e estradës është mbledhur brenda pak minutash në hollin e teatrit të Durrësit. Vajzat iu kërkuan kolegëve të babait që të organizonin edhe ceremoninë mortore dhe është vendosur që nesër nga ora 10 deri në 11 të zhvillohen homazhe në teatrit “Aleksandër Moisiu” për t’i dhënë lamtumirën e fundit kolosit të humorit shqiptar.

Muharrem Hoxha me lot në sy tha se Fadil Hasa ishte i pari që e mori për dore dhe e futi në teatër.
“Ai ishte babai im që më mësoi skenën. Sot në 11 e kishim lënë të takoheshim. Do shkoja në shtëpinë e tij. Kam shkuar këto ditë në shtëpinë e tij dhe ishte mirë, kemi qeshur, kemi bërë humor si zakonisht. Sot do shkoja në 11 sërish për vizitë. Por më mori vajza e tij në telefon dhe më dha lajmin e zi, të ndarjes nga jeta. 30 vjet më parë ai humbi gruan dhe iu përkushtua tërësisht vajzave të tij dhe nipërve e mbesave. Iu përkushtua shumë familjes pas humbjes së parakohshme të gruas, duke u bërë edhe nënë edhe babë”, tha mes lotësh artisti i merituar Muharrem Hoxha.

 

Edhe aktori tjetër i estradës Roland Koça tha se Fadil Hasa ishte babai i humorit. “Humbëm babain e humorin, gjigandin e humorit. Ai që na bënte shumë për të qeshur, sot na ka mbytur në lot”, u shpreh Koça.

Po ashtu kolegia e tij, artistja e merituar Aishe Stari tha se kjo është një humbje jo vetëm për estradën por për gjithë Shqipërinë.

“Kam humbur jo vetëm kolegun por një njeri shumë të shtrenjtë, të cilin e kam pasur shok klase që në gjimnaz dhe madje për dekada me radhë kemi ndarë së bashku skenën e estradës, të teatrit. Kjo nuk është një humbje vetëm për teatrin e Durrësit por Shqipëria humbi një aktor të madh”, tha Aishe Stari.

Fadil Hasa iu bashkua skenës së teatrit profesionist në vitin 1974 duke shënuar me dhjetëra e qindra role të pashlyeshme në memorien e gjithë shqiptarëve, duke u bërë një nga aktorët më të dashur të publikut.

Me vdekjen e bashkëshortes së tij, në moshë të re, Fadil Hasa u tërhoq disi nga humori, megjithatë rolet e tij nuk harrohen duke u kujtuar brez pas brezi.

Shqipëri, ceremoni përkujtimore për 15 Korrikun

TIRANË – Ambasada e Turqisë në Tiranë, Ministria e Rinisë dhe e Sportit e Republikës së Turqisë dhe Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) kanë organizuar një ceremoni përkujtimore me rastin e përvjetorit të dytë të tentativës për grusht shteti të organizatës terroriste FETO.

Pjesë e ceremonisë së organizuar në Tiranë ishin ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes e Shqipërisë, Sonila Qato, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, përfaqësues të institucioneve turke në Shqipëri, si dhe personalitete nga fusha të ndryshme.

Ceremonia filloi me një minutë heshtje në nder të dëshmorëve të 15 Korrikut, dhe pas himneve kombëtare të të dy vendeve, u shfaqën edhe video gjatë momenteve të tentativës për grusht shteti.

Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, në fjalën e tij në ceremoni tha se tentativa për grusht shteti e FETO-s ishte sulmi më i rëndë kundër rendit kushtetues demokratik, të drejtave dhe lirive themelore të shtetasve turq dhe sigurisë kombëtare.

Ai tha se “Gjatë kësaj tentative për grusht shteti që kishte vënë në shënjestër vullnetin, unitetin, tërësinë dhe demokracinë e vendit tonë, me thirrjen e presidentit tonë Recep Tayyip Erdoğan me miliona shtetas u bashkuan si një trup i vetëm”.

Ambasada e Turqisë në Tiranë, Ministria e Rinisë dhe e Sportit e Republikës së Turqisë dhe Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) kanë organizuar një ceremoni përkujtimore me rastin e përvjetorit të dytë të tentativës për grusht shteti të organizatës terroriste FETO.Pjesë e ceremonisë së organizuar në Tiranë ishin ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes e Shqipërisë, Sonila Qato, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, përfaqësues të institucioneve turke në Shqipëri, si dhe personalitete nga fusha të ndryshme.

 

“Karakteristikat tipike të kësaj organizate janë pastrimi i parave, shpifjet, falsifikimi i dokumenteve zyrtare, evazioni fiskal, konspiracioni, mbyllja në vetvete, prodhimi i fakteve false në labirintin e obskurantizmit, organizimi në celula dhe larja e trurit. Organizata është e shkrirë me krimin. Kështu pjesëtarë të FETO-s të arratisur drejt Shqipërisë pas 15 korrikut janë kapur në Shqipëri me karta identiteti dhe pasaporta false”, tha ambasadori turk.

Duke folur për elementët e organizatës terroriste FETO në Shqipëri ambasadori Yörük tha: “Pastrimi i kësaj organizate nga Shqipëria para së gjithash është në të mirë të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Kur ne themi se kjo organizatë duhet asgjësuar plotësisht në këtë vend, duam që ajo që na ndodhi neve në sytë e të gjithë botës të mos u ndodhë edhe vëllezërve tanë shqiptarë. Sepse organizata është e njëjta organizatë. Funksionimi i saj është i njëjtë me atë në Turqi ose në vendet e tjera të Ballkanit”.

Ndërkohë në kuadër të programit “Heronjtë mes nesh”, në pranishëm në ceremoni ishin edhe veteranët Abdullah İrgin, Erdoğan Demir dhe Mehmet Tahir İkiler të cilët ndanë për të pranishmit përjetimet e tyre gjatë tentativës për grusht shteti.

Të pranishëm ishin edhe të afërm të dëshmorëve të 15 Korrikut, mes tyre edhe Nihal Olçok, bashkëshortja e dëshmorit Erol Olçok dhe nëna e dëshmorit Abdullah Tayyip Olçok.

Kujtojmë se më 15 korrik shënohet përvjetori i dytë i tentativës për grusht shteti në Turqi, organizuar nga organizata terroriste FETO, ku 251 policë, ushtarakë dhe civilë ranë dëshmorë dhe më shumë se 2000 të tjerë u plagosën.

Me rastin e 15 Korrikut, “Ditës së Demokracisë dhe të Unitetit Kombëtar” organizohen aktivitete të ndryshme brenda dhe jashtë Turqisë.

Me jaht luksoz në Lecce/ Prokurorët kanë në dorë foto kompromentuese të Tahirit?

I zhveshur nga posti i ministrit të Brendshëm, në kulmin e akuzave të opozitës për lidhje me trafikantët e drogës, Saimir Tahiri udhëtoi me jaht luksoz nga Mali i Zi në Lecce të Italisë. Ky udhëtim, është zbuluar së fundmi nga grupi i prokurorëve që po heton për aktivitetin e ish-ministrit, pas këqyrjes së telefonit të njërit prej personave të dyshuar, ku janë gjetur foto të Tahirit dhe personave që e shoqëronin. Ky udhëtim daton në verën e 2017, pak javë përpara se Prokuroria për Krime të Rënda të niste hetimin ndaj Tahirit.

Burime pranë grupit të hetimit thanë se gjatë hetimit ka rezultuar se ish-ministri ka udhëtuar me automjet nga Shqipëria drejt Malit të Zi dhe prej andej me jaht në drejtim të Lecces. Por, grupi i hetimit, kërkon të zbulojë se kush është pronari i jahtit, me kë udhëtoi ky i fundit nga Mali i Zi në Itali, ku u akomodua ish-ministri dhe miqtë e tij dhe kush i pagoi shpenzimet.

Në fakt kjo nuk ishte hera e parë, që Saimir Tahiri udhëtonte drejt vendeve fqinje duke drejtuar mjete lundruese në pronësi të personave të tretë. Në 2014, vetëm një vit pasi kishte marrë detyrën e ministrit të brendshëm, ai udhëtoi drejt Greqisë, me një skaf në pronësi të Orgest Liperit. Në dosjen e prokurorisë thuhet se skafi pësoi defekt dhe Saimir Tahiri kërkoi ndihmën e Artan Habilajt dhe një zyrtari policie. Të dy ata e sollën mjetin lundrues në Shqipëri. Momenti që e implikon në këtë pikë ish-ministrin, është fakti se skafi në pronësi të Liperit u dërgua në Itali nga vetë Moisi Habilajt, i dyshuar si kreu i grupit kriminal e që aktualisht ndodhet në burg në Catania.

E ndërsa prokurorët e dosjes “Tahiri” janë duke renditur të gjitha provat mbi bazën e të cilave pretendojnë të provojnë akuzat ndaj ish-ministrit dhe nuk ndalen në përpjekjet e tyre, për ta çuar prapa hekurave përmes rekursit të bërë së fundmi në gjykatën e Lartë, Saimir Tahiri shfaqet i qetë në rrjetet sociale. Nga shëtitjet me kalë tek rritja e bletëve, këto janë mënyrat sesi e vret kohën, njeriu që dikur konsiderohej ministri kampion, por që ndryshe nga dje, tashmë i duhet të zhvillojë betejën e jetës, siç e ka cilësuar vetë ai; përballjen me drejtësinë. Deri më tani, Saimir Tahiri i ka fituar betejat me gjykatat, njëherë kur ja doli të rimerrte pasaportën e tij, e më pas kur e bindi Apelin ta lirojë nga arresti shtëpiak. Ndalesa e radhës pritet të jetë gjykata e Lartë, në sirtarët e së cilës dy rekurset e prokurorisë për çështjen Tahiri, presin për t’u shqyrtuar.

/News 24/

Shtëpia Botuese Onufri përgënjeshtron lajmin e rremë për shëndetin e shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare

Ka qenë Shtëpia Botuese Onufri që ka ekskulzivitetin e veprës të shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare që ka bërë përgënjeshtrimin e një lajmi se gjoja gjendja shëndetësore e Ismail kadaresë është e rënduar dhe ai ndodhet për kurim në Paris. Është e gjithë një gënjeshtër. Më poshtë po ju sjellim reagimin e Onufrit:

“KUR NJË BUDALLA HEDH NJË STATUS NË FACEBOOK

Shtëpia botuese Onufri përgënjeshtron me vendosmëri një lajm të rremë për shëndetin e shkrimtarit Ismail Kadare.

Jemi të autorizuar të njoftojmë të gjithë shqiptarët kudo që ata ndodhen, se Kadare gëzon shëndet të plotë dhe për momentin ndodhet në rezidencën e tij verore në Malin e Robit, Golem, Durrës.

Kemi rastin e lumtur që t’ju bëjmë me dije lexuesve të tij të shumtë, se Kadare është në përfundim të librit të tij më të ri “Kur sunduesit grinden”, i cili do të dalë në Panairin e Librit të Tiranës.”

Voal.ch me këtë rast komunikoi direkt me zotin Bujar Hudhrin, botuesin e Kadaresë, i cili na informoi se shkrimtari gëzon shëndet të plotë dhe po pushon bashkë me familjen në Malin e Robit!

 

Rilindja pas vitit të pestë – Nga Moikom Zeqo

Në 9 korrik të 2018 u botua në gazetën DITA shkrimi: “Rama, një vit nga mandati i dytë”. Ky opinion paraqitet si një diagnozë, pa mëtuar për të qenë një prognozë. Në substancë është kriticist në kuptimin e plotë të fjalës.

Konceptualisht kishte disa nyje të perceptimit dhe të ligjërimit analizues. Konkretisht tre nyje të tilla: 1) Një paralele e pushteteve Berisha-Rama. 2)Rama një gjyle, jo një xhoker në luftën kundër pandëshkueshmërisë. 3) Sabotimi i reformës në drejtësi. 4) Ekonomia në pikëpyetje, ashtu si zgjedhjet e ardhshme lokale.

Optika e tij paraqet një shqetësim të madh publik. Në të vërtetë në shkrimet të paktën që nga viti 2013 e deri sot të gazetës DITA nuk ka patur kurrë një dozë kaq të madhe kriticizmi. Dihet  që gazeta DITA është një gazetë e lirë në kriticizmin e saj dhe sot konsiderohet një nga simbolet kryesore të shtypit shqiptar.

Në thelb në këto katër nyjet kemi shtjellimin e dilemës midis një shprese për arritje më të mira dhe një zhgënjimi për mosarritje. Dy pushtetarët kryesorë në këtë variant krahasimtar janë Berisha dhe Rama, që në fakt në simbolikën e semantikën e politikës janë paraqitur si të kundërt, madje si antagonistë.

Por një mënyrë e tillë përjashtuese mund të ketë një metamorfozë të tillë të çuditshme sa që të bëhet e ballafaqueshmja një shtjellim paralel, ku e pangjashmja kthehet në të ngjashme. Kështu mund të ndodhë kur Kryeministri i ri imiton pushtetin pa limite të kryeministrit më të vjetër, kur zëvendësuesi në postin e Kryeministrit imiton atë që rrëzoi.

Të mos harrojmë se mandati i dytë i PS-së dhe i Edi Ramës si Kryeministër lëviz në shtratin e legjitimitetit formal juridik që ka të bëjë me fitoren e dy mandateve të zgjedhjeve të përgjithshme politike. Kjo është e pamohueshme. Kjo tregon se vijimësia e këtij votimi, që ka arritur përmasat e përfaqësimit politik në Kuvend, pra i një njohjeje urbi-et-orbi nga elektorati më i madh në Shqipëri, pra nga elektorati i majtë përbën një proces jo të studiuar siç duhet nga politikologët, apo analistët e sociologjisë politike.

Për të gjithë ne, pra edhe për mua, ardhja në pushtet e PS-së mbas tetë viteve në një opozitë të një realiteti të vrazhdë dhe gati absurd përbënte së paku një atu të një ndryshimi radikal dhe të një pozitiviteti të pandalshëm.

Kalimi pushtetor nga mandati i parë bazuar në një aleancë dy partiake PS-LSI, në mandatin e dytë, pra në mandatin më të ri përbën dukurinë e pushtetit monopartiak, pra të vetëm PS-së me maxhorancën parlamentare më të madhe se asnjëherë tjetër.

Ndihet që sfidat e qeverisjes së Kryeministrit Edi Rama kanë qenë sfida në emër të reformave, të pretendimit të reformave, që tingëllojnë pak të bujshme, por edhe tejet të arsyeshme si “reforma e shtetbërjes” (term juridik ky jo i saktë, më tepër metaforik) apo reformat e tjera siç janë ato të arsimit të lartë, të Policisë së shtetit, si dhe të hullisë së koncensioneve shtetëroro-private, që duhen alternuar më saktë si privato-shtetërore.

Mandati i dytë i Edi Ramës u bë dhe u arrit në një terren ku niveli politik i opozitës si subjekt kushtetues dhe përfaqësues në Kuvend pati tronditje kaotike, jo thjesht probleme strukturore sesa të karakterit institucional të një partie politike që duhej reformuar në mënyrë urgjente, për të mbijetuar.

U krijua përshtypja, që është zotëruese edhe sot se Fati, se Koha Fatidike e Edi Ramës qe pikërisht opozita e dobët, për të mos thënë e shpërbërë frikshëm. Kështu lehtësia e të përballuarit të pushtetit, deri në atributet e një autoritarizmi, që s’përfill asgjë ngjante me një modus-vivendi.

Shkrimi i G.Burimit i 9 korrikut shpreh në mënyrë të shkurtër, lakonike, se pesë vjet më vonë, Rama “nuk ka më forcën morale ta udhëheqë betejën kundër ish-abuzuesve, se Rama është vet sot në rolin e një abuzuesi me pushtetin. Nga Rama pritej të riparohej e kaluara që trashëguam nga ish ministrat e Berishës dhe jo tregohej ai me gisht nga taboret e Berishës si më i keq se më të këqinjtë e Berishizmit.”

Edhe sabotimi i reformës në drejtësi është gati një vetiluzion i Ramës për t’u mbiquajtur si demiurg.

Por kritika më e krahasuar me shifra është ajo që lidhet me rrafshin ekonomik. Borxhi Berishian, 62 për qindëshi i prodhimit të brendshëm bruto, që Rilindja e konsideronte si katastrofik jo vetëm që s’ka rënë por është rënduar në 10 pikë më tepër. Borxhi publik i Shqipërisë, në masën 72 për qind të PBB-së sot është propocionalisht më i larti në Europë. Taksat që në epokën Berishiane ishin nën nivelin 25 për qind të PBB-së, sot po rendin të gllabërojnë të PBB-së së ekonomisë shqiptare duke synuar t’i afrohen vendeve me taksimin më të lartë si Franca dhe Danimarka.

Mbyllja e bizneseve është pasoja më imediate e kësaj politike makroekonomike të gabuar. Kështu në 2017-n mbi 3000 biznese të vogla kanë mbyllur dyert. Kërkesa për emigracion të kujton sindromën e eksodit masiv të vitit 1991. Përsa i përket reformës në drejtësi; shkrimi thekson se vonesa në këtë reformë lidhet me vetë Ramën.

Gazeta DITA i ka hapur fletët e saj për një debat publik. Debati për mua është normal. Askush nuk duhet të ketë frikë nga ky debat substancial. Madje nuk duhet patur frikë në asnjë lloj debati pavarësisht emërtesave, apo titujve.

Publicisti i njohur, B.Islami reagoi menjëherë duke qenë edhe i pari njeri serioz edhe i përgjegjshëm që mori pjesë në këtë debat. Në shkrimin e tij “Gjashtë “përparësitë” rrënuese të Edi Ramës” ku shtjellon tezat e tij figurativisht ai pyet: “Ferrari, Rama ka nevojë për servis?” ose “Ekskluziviteti i tepsisë së madhe të pushtetit të mbajtur nga një dorë dhe rreziqet reale që i kanosen Kryeministrit në mandatin e dytë.”

Për Bedri Islamin Rama luan me disa “përparësi”. “Përparësia” e parë është Basha, shefi i paaftë i opozitës, ose i konsideruar i tillë. “Përparësia” e dytë rrënuese është ekonomia e papërcaktuar. Shkatërrimi që i është bërë regjimit të Berishës i dhanë alibinë Edi Ramës për borxhet që duheshin larë, për boshllëqet që duheshin mbushur, madje edhe për mesazhin se rrypi duhet shtrënguar.

B.Islami thekson se instrumenti për “të fuqizuar” ekonominë, krijimi i tre emërshit PPP do të jetë humnera për Edi Ramën sidomos për vitet e ardhshme. Nëse Fondi Monetar Ndërkombëtar e këshillon Kryeministrin Edi Rama që të ketë kujdes me PPP-në, të gjithë e dinë se është e vështirë që Kryeministri të largohet nga fetishi i PPP-së.

“Përparësia” e tretë rrënuese është grupi parlamentar socialist. Ky grup i madh në pikëpamje statistikore është gati i klonuar, dhe nuk luan rolin të kundërshtimit nëse nuk bindet , të parametrave të vërtetë kushtetuese të ushtrimit të detyrës së deputetit por voton përherë pro, është një grup gati memec, por solid për të miratuar gjithçka të Kryeministrit.

“Përparësia” e katërt rrënuese, sipas Bedri Islamit është shefi i grupit parlamentar që quhet Taulant Balla, militant, përherë i gatshëm për t’u ndeshur, por një polemist mesatar dhe shpesh në një pozicion të gabuar, pa autoritetin intelektual të përfaqësimit, të shkallës së lartë të dinjitetit dhe urtësisë dhe mendjes së mprehtë. “Përparësia” e pestë rrënuese është e tërë opozita me përbërësit e saj. “Përparësia” e gjashtë rrënuese është qeveria dhe themeltarja e saj Vettingu.

Siç shihet analiza e Bedri Islamit është gjithashtu kriticiste, por dhe argumentuese në thelbin e vet.

Sinqerisht e kam të vështirë edhe unë për të patur një angazhim qytetar, jo se nuk e kam vetedijen për këtë çështje, përkundrazi, por edhe për faktin që u bë një kohë që jam shkëputur nga analizat e mirëfillta politike, nga kriticizmi politik i problemeve të ditës apo të kërkimit të vizionit politik të perspektivës.

Ka gati 30 vjet, që kam shkruajtur pa pushim për këto subjekte. Nuk e fsheh as arsyen më të kuptueshme të zhgënjimit tim ndaj politikës në këto 30 vjet (Çudi e madhe sesi kanë kaluar kaq shumë vjet!) kur të gjithë lexuesit e dinë që për hir të një karakterizimi shkencor unë klasën politike në Shqipëri e kam quajtur përherë si një “klasë parapolitike”.

Ky mendim më rezulton, për fat të keq, edhe sot, i pakundërshtueshëm dhe i parrëzueshëm. Një klasë politike e një vendi qoftë ajo që është në pushtet qoftë pjesa tjetër e opozitës përbëjnë gjithmonë diçka të vetme.

Nuk mund të kemi një parti pushtetare të mirë dhe një parti opozitare të keqe, në kuptimin e ndarjes absolute midis tyre.  Ato përbëjnë të njëjtën klasë politike, apo subjekte që kanë alternuar njëra-tjetrën, që kanë zëvendësuar njëra-tjetrën edhe në pushtet edhe në opozitë.

Ajo që ka ndodhur në Shqipëri me shkatërrimet në të gjitha fushat e jetës për të patur një kulminacion me piramidat  financiare apo me vitin e kobshëm 1997, me grushtin Berishian të shtetit në 1998-n, etj tregon qartë se politikanët tanë janë vërtetë përfaqësuar me mandate të pushtetarëve por nuk kanë bërë, nuk kanë arritur të bëjnë zhvillimet pozitive, që janë ëndërruar dhe pritur kaq gjatë.

Për fat të keq sindromi i klasës “parapolitike” shqiptare duket edhe në Republikën e Kosovës, por edhe në partitë shqiptare në Maqedoni, etj.

Ajo që të bën përshtypje dëshpëruese është fakti se partitë politike shqiptare në antagonizmin e tyre me njëra-tjetrën të kujtojnë sferat e sistemit të Ptolemeut, që vërtiten secila në hesap të vet, që duken sikur s’kanë asnjë lidhje me njëra-tjetrën.

Pse ka ndodhur kështu?  A duhet të ndodhte kështu? Këto janë pyetje të mëdha historike.  Pse janë këto vonesa të tilla?  Pse përfaqësimi politik që bëhet me zgjedhje të përgjithshme elektorale nuk ka arritur një cilësi të re në rradhët e deputetëve të të gjitha partive, përkundrazi, nga dhjetëvjeçari në dhjetëvjeçar, pra në tridhjetëvjeçar të tillë niveli i përfaqësimit ka ardhur duke u ulur, duke u bërë më mediokër, më i pabesueshëm në anonimatin e vet.

Kam shkruar shpesh se ndryshimet e kobshme kushtetuese të vitit 2008  ku kryetarët e partive fituan të drejtën e monarkut për t’i bërë vet listat e deputetëve që do të votojnë elektoratet, do ta pengojnë, do ta sundojnë skenën politike, do ta arkaizojnë thelbin e politikës.

Por më duhet edhe mua të jap një përgjigje publike se ç’mendoj për teza konkrete të shtruara numrat e fundit në DITA. Analiza objektive dhe shkencore duhet të mos i shmanget as guximit kriticist , as detyrimit të ndërgjegjshëm për ta thënë atë.

Mendoj se qeveria e PS-së në mandatin e mëparshëm dhe në mandatin e tanishëm është një vijimësi e një tradite qeverisëse që nga viti 1992 deri më sot që ka krijuar një subkulturë qeverisëse, që jo vetëm nuk e ka shkatërruar por e ka stimuluar korrupsionin.

Kjo është e dukshme.  Nuk mund të mohohet.

Pa dyshim që Kryeministri Edi Rama ndryshon nga Sali Berisha. Por kjo mund të thuhet edhe për ndryshimin midis kryeministrave të tjerë si Fatos Nano, Ilir Meta dhe Pandeli Majko.  Secili nga këta kryeministra ka kronologjinë e vet, të viteve mandatore, të bëmave si dhe inventarin e veprimtarive por vepra e tyre qeverisëse e ka bërë të mundur një ndryshim radikal?

Pa dyshim që ka edhe ndryshime. Por janë të mjaftueshme?  Janë plotësisht të kënaqshme?  E vërteta qëndron midis dy skajeve: midis pozitivizmit të skajshëm të propagandës qeveritare dhe negativizmit të skajshëm të propagandës opozitare.

Unë mendoj se e keqja nuk vjen nga asnjë lloj kriticizmi. Aq më tepër që kriticizmi është më tepër një proces iluminues i politikës. Apologjia e arritjeve të mëdha është naive.

Që të analizojmë siç duhet edhe periudhën qeverisëse të Edi Ramës kërkojmë të gjejmë dhe shikojmë rezultanten të veprimeve qeverisëse.

Elemente të rendit shtetëror, të stabilitetit relativ, të kapërcimit të situatave kaotike, të pakontrollueshme dot, janë diçka e pakrahasueshme me të kaluarën.

Po a janë reformat e ndërmarra vërtetë metafora epistemologjike, me një Ardhmëri të sigurt? Kjo është një çështje e diskutueshme.

Pra duke mos parapëlqyer pozicionin e një negativizmi të plotë, pra të një absurdizimi shterp të së keqes unë jam i prirë për të parë një proces të vështirë, të dialektikës negative siç thoshte Adorno, pra për të parë situatën me sy më të qetë, me një vështrim më inkurajues, ndonëse jo të pranueshëm plotësisht.

Ne jetojmë në Epokën Post-faktuale, ku përleshja e opinioneve paraqitet si konkurrencë spektaklesh dhe jo si kërkim i të së vërtetës.

Përfaqësuesit e politikës në Shqipëri nuk spikatin për kulturë politike të lartë. Edhe vetë ata e kanë shprehur këtë gjë, madje e kanë konsideruar si një mundësi kreative faktin që nuk janë politikanë të mirëfilltë. Kjo ka bërë që diletantizmi politik të bëjë kërdinë në Shqipëri.

Habitem sesi polemika e opozitës së sotme, që ka një përgjegjësi kolosale dhe shkatërrimet apo vonesat e shoqërisë sonë, sot bëhen në emër të idealeve të moralit, në një kohë që ata nuk janë aspak mishërime apo avatarë të moralitetit.

Ajo që më shqetëson është fakti që politika shqiptare e ushtron betejën e saj si një ballafaqim të pakompromis “dhëmbë për dhëmbë” dhe “sy për sy” me kundërshtarët e demonizuar. Ky demonizim i largon plotësisht pjesët përbërëse të klasës politike së pari nga vetë integrimi dhe nga karakteri komplementar i tyre, duke përjashtuar konceptet politike të sinkronizimit dhe të gjithëpërfshirjes.

Betejat e mëdha të një kombi janë gjithmonë betejat mendore. Në betejat mendore triumfon arsyeja.  Në betejat mendore krijohet kauza e së Ardhmes. Është e pamundur që kjo të arrihet nga një pakicë politikanësh dhe të mos arrihet nga të tjerët sepse vetvetiu do të kishim përherë një segregacion të pashmangshëm.

Kjo nuk ka të bëjë me një metaforë uniteti, por ka të bëjë me prirjet jetike drejt një të ardhmeje.

Në Epokën Post-faktuale është bërë e tmerrshme Propaganda. Nuk është më Propaganda instrument i Politikës, por është vet Politika instrument i Propagandës.  Dhe Propaganda është përherë me terma përjashtues. Të krijohet ideja se brenda një bashkësie me qytetarë të njëjtë disa janë qytetarë kurse të tjerët përjashtimisht dhe përfundimisht nuk janë të tillë.

Kjo është e pabesueshme por në realitetin shqiptar kjo për fat të keq është e dallueshme. Kjo përbën një skenar distopik, që të kujton shpesh utopitë negative të Oruellit dhe të Zamiatinit.

Klasa politike shqiptare po përjeton krizën e saj. Kjo është një krizë në të gjitha krahët. Lehtësisht mund të kuptohet se Vettingu nuk është gjë tjetër veçse përballja me “shkëlqimin” dhe “rënien” e politikës shqiptare për tri dekada.

Pse duhet të lindtte domosdoshmëria e Vettingut nëse politikanët shqiptarë do të ishin brenda ligjeve të një normaliteti të kuptueshëm dhe real?

Vettingu u krijua pikërisht për të kundërshtuar dhe ndrequr diçka nga një histori anormale e politikës. Jo vetëm nuk e luftoi korrupsionin por e zbehu dhe e humbi besueshmërinë morale dhe institucionale.

Ndërkohë për të qenë më i drejtë dua të them se Kryeministri Edi Rama është paraqitur më mirë në takimet ndërkombëtare dhe pavarësisht ndonjë eksesi prej “artisti” e ka përfaqësuar politikën e jashtme të Shqipërisë më me dinjitet dhe më mirë.

Asnjë kryeministër nuk është i përhershëm. Pa dyshim dhe Kryeministri Rama nuk është i përjetshëm, ashtu siç nuk janë të përjetshëm ata që do të vijnë pas tij.  Përsa i përket vlerësimit të tyre të roleve emblematikë dhe sarkistikë në histori, në të vërtetë kjo është një çështje që i takon një analize më gjakftohtë, të vet Historisë e cila siç thotë filozofi Hegel i ngjan “Fluturimit të kukumjaçkës së Minervës e cila ngrihet kur perëndon dita” pra vet koha e veprimit të personazheve historikë.

Por mua më shqetësojnë edhe gjëra të tjera që lidhen sidomos me kulturën e Shqipërisë.

Përdorimi i termave konvencionalë si “Rilindja”, qoftë e politikës qoftë gjoja e urbanistikës, mua nuk më shqetësojnë. Në një studim bihoverist mund të shpjegohen edhe metafora të tilla. Por çështja e kulturës është një çështje më e madhe, më e ndërlikuar sesa politika.

Që do të thotë që politika nuk duhet në asnjë mënyrë ta klonojë kulturën, as të krijojë ide të gatshme si stampime biskotash, as të marrë privilegjin, apo copywriting e kulturës.

Çdo ndërhyrje e politikës në kulturë për të gjitha epokat dhe sistemet ka qenë e panatyrshme dhe e dhunshme. Ky është një mësim i shekujve.

Politikanët aq më tepër të votuar dhe që janë mandatorë, pra të përkohshëm, duhet të jenë të kujdesshëm shumë dhe as të mos vendosin veton absolute mbi problemet e kulturës.

Poeti Oktavio Paz, Nobelist, i ka dërguar një letër Presidentit të vendit të tij ku i thotë se nuk ka të drejtë asnjë President të ndërhyjë në çështjet e kulturës dhe të artit. Ndryshe do të kishim një narrativë oruelliane.

Nuk ka përse të merret politika me prishjen apo me ndërtimin e një teatri. Nuk ka përse të merret politika me rikonceptimin e shesheve urbane.

Kultura dhe arti i takojnë artistëve, ku ato kanë ekskluzivitetin e tyre të padiskutueshëm, por edhe për veprat urbane është shkenca në disiplina të tejet specializuara të urbanistëve, ku ata kanë përvojë dhe autoritetin e tyre sovran.

Këto janë parime të diskutuara apo të kundërshtuara.

Kur pushteti politik vendos pa asnjë kufizim mbi të gjitha gjërat, qoftë ky pushtet i ashtuquajtur i djathtë, qoftë i ashtuquajtur i majtë atëhërë do të kemi përplasje të deformimeve.

Filozofi francez Michel Foucault përdori projektin e Jeremy Bentham-it për Panoptikonin, që është struktura përcaktuese e pushtetit të sipërm mbi të gjithë qytetarët të futura në parametra të përcaktuara jo nga ata vetë.

Kjo kryemetaforë e pushtetit, Panoktikoni tregon një strukturë administrative, me një fjalë një lloj korseti prej hekuri në trupat e qytetarëve.

Sociologu i madh që vdiq para disa kohësh Zygmunt Bauman, në kryeveprën e tij “Liquid Modernity” (“Moderniteti i Lëngët”) që trajton teknikat panoptike të pushtetit, sidomos në periudhën pas modernitetit.

Një nga meritat e mëdha të këtij gjeniu të sociologjisë është analiza e tij që lidhet me konceptin “kolonizimet të publikes nga privatja”.

Kjo tendencë ka një karakter totalitar.

Për Baumanin “çështjet publike” bëhen befas probleme private të figurave publike. Shkatërrimi i çdo gjëje publike duke favorizuar privaten krijon një asimetri të frikshme.  Bauman në këtë pikë e kritikon edhe Kryeministrin e Anglisë Tony Blair, i cili ka qenë nismëtari i shumë politikave të tilla të favorizimit të privates mbi çdo gjë publike.

Bauman citon edhe një mendimtar me shumë ndikim të shkollës gjermane të Frankfurtit, Jurgen Habermas, i cili i pari e ka ngritur këtë shqetësim duke treguar se humbja e çdo kriteri apo përmbajtjeje dobëson edhe karakterin shoqëror, pra vetë ndërgjegjen e shoqërive civile apo konceptin e qytetarit që humbet autenticitetin.

Bauman njëkohësisht kritikon neoliberalizimin që e konsideron një hiperbolizim, që ndryshon nga vetë koncepti i liberalizmit

Gjithashtu, për të qenë një pikë reference në shoqërinë shqiptare është pikërisht Bauman i cili me përdorimin e formulës PPP, si një lloj llampe të Aladinit, e konsideron edhe si strehën e një xhindi që do të dalë në ndonjë ditë nga llampa për të vendosur pushtetin e tij monstruoz mbi konceptin publik.

Dikur filozofi Thomas Hobs shihte me tmerr krijimin “e njeriut që nuk njeh asnjë ndalim”. Kjo do të shkatërronte domethënien e gjësë më publike që ka shoqëria, që është shteti. Postmodernizmi politik, me neoliberalizmin e gjen situatën ekonomike problematike të Shqipërisë plot pasiguri dhe mundësi të papriturash. Jeta bëhet e papërcaktuar.

Qytetarët kërkojnë një të ardhme të sigurtë. Nuk arrijnë ta konceptojnë, nuk e gjejnë dhe kanë vetëm një vizion paniku: largimin në emigracion.

Mendimtari i madh amerikan George Steiner thotë se një subkulturë e tillë e pasigurisë në të vërtetë është një “subkulturë e kazinosë”.

Ne kërkojmë të gjejmë fatin dhe rastin, fantazojmë, sakrifikojmë por nuk arrijmë asgjë. Kështu çdo ëndërr për një jetë më të sigurt shtyhet në ad calendas graecas.

Kam lexuar këto ditë libra të arkitektit amerikan Michael Graves për arkitekturën post moderne. Ky arkitekt i famshëm në krejt botën flet për katastrofën urbane midis horizontales dhe vertikales. Ai citon edhe mendimet e arkitektëve të famshëm Van der Rou ,Gropius, F.L Wright etj.

Kam reflektuar nga idetë e tij ndonëse ai hyn tek arkitektët e avangardës më të suksesshme në arkitekturë.

Kam heshtur për një kohë të gjatë dhe nuk kam marrë pjesë në çështjen e quajtur tashmë “të Teatrit Kombëtar”.

Pa dyshim që nuk kam qenë as në vitin 1998 dakord, as tani në 2018-n për prishjen e Teatrit Kombëtar dhe dhënien e hapësirës publike një firmeje private.

Përgjithësisht veprimet qeveritare bëhen me VKM. Vendimet janë urdhra ekzekutive. Është absurde të mendosh që veprime të tilla të bëhen me ligje parlamentare në Kuvend. Është fakt substancial juridik që ligjvenësit bëjnë dhe aprovojnë ligje me karaktere të përgjithshëm, jo thjesht me një subjekt të përcaktuar.

Janë pikërisht VKM-të që kanë funksionin zbatues dhe detyrues për subjekte të veçanta.  Po pse ndodh një gjë e tillë në Kuvendin e Shqipërisë?  Dhe pse duhet të ndodhë?

Si ka mundësi që një firmë private të jetë subjekt i ligjvënësve shqiptarë në një mënyrë të tillë?  Pse ndodh kështu?

Ndërkohë nuk mund të lë pa përmendur edhe një letër të studiueses Ana Tostoes, kryetare e “Docomomo International”, dërguar Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama ku i bën thirrje që të ruhet arkitektura e Teatrit Kombëtar të Shqipërisë, për arsye të karakterit historik të kësaj arkitekture të konceptuar nga një arkitekt italian shumë i njohur Giuglio Berte.

Kurrë nuk ma ka marrë mendja që do të kishte një konflikt të artificialtë dhe kaq të pakuptimtë midis qeverisë dhe artistëve, që do të merrte madje dhe formën groteske të antinomisë apo antagonizmit të shumicës me opozitën.

Në të kaluarën Edi Rama ka treguar edhe shenja të mirëkuptimit.

Kujtoni ju lutem debatin për armët kimike në Shqipëri, debat që u bë i thekshëm, përvëlues, anatemues por Rama tregoi fleksibilitet dhe tërheqja e tij jo vetëm që nuk e uli por e ngriti në atë moment figurën kryeministrore.

Dikur Volteri me novelën e tij filozofike “Kanditi” ironizonte dhe tallej me thënien e filozofit gjerman Lajbnic, i cili mendonte se bota ku jetojmë “është bota më e mirë e mundshme”.

Por unë besoj se shqiptarët meritojnë një të ardhme më të mirë. Kjo do të thotë se nuk duhet të humbasë koncepti i Shpresës.  I përmirësimit.  I zhvillimit.

Vonesat kronologjike nuk janë aq fatale në histori. Vonesat konceptuale do të ishin diçka e tmerrshme.  Jam një qenie njerëzore që kam prirjen të besoj se gjërat do të bëhen patjetër më mirë dhe do të kemi edhe një histori tjetër më ndryshe nga ç’e kemi sot.

Nuk besoj se qoftë dhe një shkrim si ai i 9 korrikut në DITA që hapi këtë debat nuk sjell konceptime pozitive të stimuluara, ashtu si nuk do të thotë që Qeveria mund të bjerë nga minuta në minutë, përkundrazi, mandati kohor i kësaj Qeverie do të përfundojë brenda afateve kushtetuese.

“Ky është super krim”, deputeti i PS i nxjerr faktet ministrit të kabinetit Rama

Deputeti i PS-se, Erjon Braçe, njeheresh kreu i Komisionit te Ekonomise ka ngritur sot shqetesimin e madh per ate qe ndodh me token bujesore.

Me nje shenim te gjate ne faqen e tij ne Facebook, Brace shkruan se 10 muaj më parë i ka kërkuar ministrit Niko Peleshi  të ndërhynte e të verifikonte kontratat e dhënies së tokës bujqësore me qera tek biznesmenë të ndryshëm, që s’kanë lidhje me bujqësinë.

“Ky eshte krim me super token bujqesore, minister! Troc e qarte, krim! Shihe! Eshte toka me pjellore ne vend!”- shkruan Braçe.

Postimi i Braçes

 

KRIMI ME SUPER TOKEN BUJQESORE!
10 MUAJ PASI I KERKOVA MINISTRIT TE NDERHYNTE!

10 muaj me pare,
i kerkova ministrit te Bujqesise,
te verifikonte zbatimin e kontratave te
dhenies se tokes bujqesore me qira,
tek biznesmene te ndryshem pa lidhje me bujqesine.

I solla te qarte rastin e nje siperfaqe mbi 100 hektare,
ne Sektor Ferras-njesia Grabian, bashkia Divjake!

Nje kontrate e dites se fundit e qeverise Berisha per Luleshtrydhe, Rukola e Fasule,
ishte nenkontraktuar per te kultivuar oriz mu aty!!!!

10 muaj me pas,
gjendja eshte kjo ne kater fotot e para;
Sic duket, ne toke nuk ka as luleshtrydhe, as rukola e as fasule, madje nuk ka as oriz!

Ka vec ferra!
Toka pas “kultivimit” te orizit u shkaterrua
deri ne kete gjendje!
Ka marre fund-me thane bujqit ne Ferras!

Ky eshte krim me super token bujqesore, minister!

Troc e qarte, krim!
Shihe! Eshte toka me pjellore ne vend!

Nderkohe,
pikerisht ne, kemi ndertuar te gjithe infrastrukturen aty;
Vaditje, kullim dhe rruge.

Nderkohe,
bujqit siper ne koder-Spolata eshte aty,
nuk gjejne me asnje centimeter toke per serat e tyre;
bujqit ne parcelat ngjitur, mirembajne token me punen e shpenzimet e tyre,
madje deri ne bukuri.

Shihini pamjet!

Ndekohe akoma,
ne te Divjakes, vijojme te sherbejme fort per kominitetin,
me sa fuqi mundemi- vaditje e kullim,
sic ne keto foto ne Cerme Sektor,
madje duke shpetuar edhe banesat e fundit,
lene nen meshiren e ujrave!

Diferenca eshte e thelle!

E dini pse?
Sepse prona publike nuk mbrohet si “e jona”,
madje nga “e jona” e dorovisim si “e tyre” dhe,
ata e shkaterrojne si “e jona”!

Kaq!

Ndërron jetë operatori i njohur i filmave shqiptarë dhe artisti i merituar, Ilia Tërpini

TIRANE- Ka ndërruar jetë në moshën 82-vjeçare operatori i njohur i filmave shqiptarë Ilia Tërpini.

Operatori Ilia Tërpini ishte ‘Artist i merituar’, dhe ka marrë disa medalje dhe çmime si ‘Medaljen e punës’ dhe ‘Çmimin e Republikës’.

Ilia Terpini është vlerësuar me medalje në 6 festivale të filmit si dhe ka çmim kombëtar për fotografinë artistike.

Ai mban gjithashtu urdhrin ‘Mjeshtër i madh’. Ilia Terpini filmoi filmat e njohur shqiptarë si ‘Dimri i fundit’, ‘Balle për balle’, ‘I teti ne bronx’, ‘Mësonjëtorja’, “Flutura ne kabinën time’.
ilia_terpini_-_operator

BIRN: Pasuritë e pajustifikuara dhe dënimi i nipit si “sekser” rrezikojnë Gani Dizdarin

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstatoi pasuri të pajustifikuara dhe të padeklaruara nga Dizdari dhe e bija si dhe kontaktet e papajtueshme me nipin e tij të dënuar për ndikimin e një vendimi për vrasje në Gjykatën e Lartë.  Avokati i Dizdarit kërkoi konfirmimin: Për gjashtë muaj del në pension.

Avokati i Gani Dizdarit, Sokol Hazizaj përballë trupës gjykuese të drejtuar nga Pamela Qirko dhe anëtarë Roland Ilia dhe Olsi Komici.

NGA BIRN

Pasuria e pajustifikuar dhe marrëdhëniet me nipin e tij të dënuar për “ushtrim ndikimi të paligjshëm” rrezikojnë të rrëzojnë edhe Gani Dizdarin- anëtari i fundit i Gjykatës Kushtetuese që përballet me procesin e vetingut.

Dizdari mungoi në seancën dëgjimore të zhvilluar të enjten në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, ndërkohë avokati i tij, Sokol Hazizaj pretendoi se subjekti ka burime të mjaftueshme financiare, pavarësisht pasaktësive.

Trupa gjykuese e kryesuar nga Pamela Qirko, me relator Roland Ilia dhe anëtar Olsi Komici konstatoi probleme si në kriterin e pasurisë ashtu edhe në atë të pastërtisë së figurës.

Ndonëse Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë e kishte certifikuar pasurinë e Dizdarit si të ligjshme, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit evidentoi burime të pamjaftueshme për një pjesë të pasurisë së gjyqtarit si dhe mungesë burimesh të ligjshme dhe pasuri të padeklaruara në emër të vajzës së tij.

Relatori i çështjes, Roland Ilia tha se gjyqtari Dizdari kishte bërë deklarime të sakta për një apartament 97.5 m2 të përfituar nga ligji për privatizimet, një apartament me sipërfaqe totale 86 metra katrorë në Gjirin e Lalzit, një sipërfaqe toke në Mjull Bathore si dhe një depozitë bankare me vlerë rreth 1.6 milionë lekë.

Megjithatë, KPK evidentoi pasaktësi, mungesë burimesh të ligjshme dhe mosdeklarime për një apartament të blerë nga bashkëshortja e ndjerë e Dizdarit për 1 850 000 lekë, një depozitë me vlerë 5272 euro, e krijuar kryesisht nga paratë e llogaritura për shpenzime kurimi, të kthyera mbrapsht nga një bankë gjermane si dhe dhurime në vlerën e 10 mijë eurove për shpenzime kurimi nga të afërmit.

Sa i takon pasurive të deklaruara nga vajza e Dizdarit si person i lidhur, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstatoi mospërputhje të shumta, mungesë burimesh të ligjshme dhe shmangie nga deklarimi.

Sipas relatorit, vajza e subjektit ka blerë një apartament në vitin 2009, por sipërfaqja e tij dhe vlera kanë mospërputhje mes deklaratës periodike, deklaratës “veting” dhe pyetësorëve. Në vitin 2009, apartamenti është deklaruar me vlerë 94 mijë euro, ndërsa në deklaratën “Veting” për 73 mijë euro.

Gjithashtu, burimi i krijimit të kësaj pasurie nuk konsiderohet i ligjshëm. Sipas KPK-së, vajza e Dizdarit ka deklaruar se ka marrë 36 mijë euro borxh në vitin 2009 dhe 20 mijë euro borxh në vitin 2010 nga të afërmit, ndërkohë që 23 mijë euro të tjera i ka paguar ish-bashkëshorti.

Hetimi administrativ i KPK-së ka arritur në përfundimin se asnjëri prej të afërmve nuk kishte burime të ligjshme për huatë, ndërkohë që ish-bashkëshorti nuk dispononte dokumentacion për paratë që pretendonte se i kishte fituar nga emigracioni. Komisioni konstatoi gjithashtu probleme të ardhurash në blerjen e një makine me vlerë 6 mijë euro.

Diskutimi në seancë u dominua megjithatë nga konstatimi se gjyqtari Dizdari ishte i papërshtatshëm për vazhdimin e detyrës, për shkak të marrëdhënies së tij me një person të dënuar-që rezulton të jetë nipi i tij Agron Lumneshi.

Avokati i Dizdarit tentoi ta paraqiste këtë gjetje si një marrëdhënie familjare të pafshehur nga subjekti, por hetimi i vitit 2012 ndaj nipit të tij tregon se “ushtrimi i ndikimit të paligjshëm”- një vepër penale që lidhet gjerësisht me rolin e “sekserit”, bëhej për uljen e një dënimi për vrasje në Gjykatë të Lartë ku asokohe punonte Dizdari në këmbim të 10 milionë lekëve.

Ndonëse Lumneshi u dënua me vendim të formës së prerë, hetimi i prokurorisë së Fierit nuk arriti të provonte se ku kishin shkuar paratë.

Relatori i çështjes, Roland Ilia pranoi se subjekti nuk e kishte fshehur këtë “marrëdhënie të papërshtatshme”, por fakti ekzistonte dhe se kjo nuk është në pajtim me ushtrimin e detyrës së gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Në një përballje më të paqtë se rastet e mëparshme më Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, avokati Hazizaj pranoi disa gjetje, rrëzoi disa të tjera dhe kërkoi konfirmimin në detyrë të klientit të tij me argumentin se “Dizdarit i kanë mbetur edhe 6 muaj para se të dalë në pension”.

Hazizaj pretendoi se për apartamentin e blerë nga bashkëshortja e ndjerë, Dizdari kishte të ardhura të mjaftueshme, të cilat nuk i ishin llogaritur pasi dokumentacioni i Prokurorisë së Tropojës ishte djegur gjatë vitit 1997, ndërsa për dhurimet për kurimin në Gjermani tha se klienti i tij, edhe për shkak të kushteve shëndetësore ishte në kushtet e padijenisë.

Ai i dorëzoi trupës gjykuese prova të reja, që sipas tij vërtetojnë se dy të afërmit që i dhanë hua 56 mijë euro në total vajzës së Dizdarit kanë të ardhura të mjaftueshme, ndërsa e cilësoi mospërputhjen në rastin e blerjes së një makine si “gabim të noteres”.

Lidhur me raportet mes Dizdarit dhe nipit të tij të dënuar, Hazizaj pretendoi se vepra penale e ushtrimit të ndikimit të paligjshëm nuk përfshihet në ligjin “Antimafia”-ku sipas tij renditen veprat penale që lidhen me krimin e organizuar. Megjithatë, ai tha se Dizdari e kishte deklaruar atë në formular dhe se duhej vlerësuar për faktin se nuk ndërhyri kur nipi i tij bëri rekurs në Gjykatë të Lartë dhe kjo e fundit ia rrëzoi kërkesën.

“Subjekti i rivlerësimit ka një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë dhe…. është në 6 muajt e fundit të karrierës para se të dalë në pension. Ka dhënë kontribute në këtë sistem drejtësie që ka qenë,” tha Hazizaj në fund të seancës dëgjimore.

“Subjekti ka qenë transparent dhe bashkëpunues me Komisionin. Në fund të karrierës së tij kërkoj rikonfirmimin e tij të detyrë për kohën që i ka mbetur,” përfundoi Hazizaj.

Vendimi për Dizdarin do të shpallet më 16 korrik.

Deputeti Gurakuqi: Në Pukë klima e terrorit socialist mbi popullsine civile te paangazhuar politikisht, ose opoziten demokrate!

Deputeti i PD Romeo Gurakuqi ishte në Pukë bashkë me deputetin Bardh Spahia për t’u takuar me elektoratin. Në rrjetin social Gurakuqi shkruan se në zonë “mbizotëron klima e terrorit socialist mbi popullsine civile te paangazhuar politikisht, ose opoziten demokrate”. Po ua sjellim reagimin të plotë:

“Ne Aktivin e PD dega Puke.

Nje dite per te inspektuar dhe per te mesuar:

N/ Prefektura e Pukes perfshin bashkite Puke dhe Fushe-Arrez. Jane dy njesi te qeverisjes vendore, ne te cilat, qeveria socialiste ka eksperimentuar me sukses, ne heshtje, jashte vemendjes se opinionit publik, te medias, te ambasadave perendimore te akredituara ne Tirane, pertej interesimit te institucioneve te pavarura, vendosjen e diktatures socialiste dhe eliminimin e pluralizmit.

Kemi te bejme me nje kombinim te sundimit te familjeve qe per 50 vite sherbyen si pjese te strukturave te PPSH, me njerez te forces dhe elemente te rekrutuar nga politikat diferencuese te presionit monist te socialisteve lokale, me perkrahjen e drejtperdrejte te diktatorit te Tiranes.

Sistemi i patronazhit politik.

Qindra qytetare te hequr nga puna ne te gjitha institucionet shteterore per arsye politike. Qindra te hequr nga skema e ndihmes ekonomike. Rastet do denoncohen nje nga nje, ne MAS dhe ne institucionet e shendetesise, sherbimit social, sherbimit pyjor. Miliona euro te hedhura per “Rilindjen Urbane”, te adresuara per qellime te bizneseve private te pushtetit dhe ende te paperfunduara. Qendra e Pukes nje kantier i abandonuar ndertimi. Tenderime te panevojshme nga dy here. (Lali Eri ne Tirane nuk eshte i vetmi qe investon 19. 5 milion Euro mbi nje shesh qe funksiononte).

Na rezulton, se “Rilindja Urbane”, ne disa raste se paku, eshte perdorur si fasade propagandistike dhe njekohesisht si ndihme ndaj interesave private te klientelave.

Por mbi te gjitha, me e renda, eshte klima e terrorit socialist mbi popullsine civile te paangazhuar politikisht, ose opoziten demokrate.

A mund te jete drejtues i qeverisjes vendore te nje vendi kandidat per BE, dikush qe haptas u drejtohet qyetareve te vet demokrate: shkoni te PD per te gjetur pune?!!!!

STOP DHUNES POLITIKE SOCIALISTE ne MALESINE E PUKES.

Per vemendjen e #USEMBASSYTIRANA #EUREPRESENTATION
#OSCETIRANA” Këtu përfundon reagimi i deputetit Gurakuqi.

Image may contain: one or more people and indoor

Image may contain: one or more people, people sitting and indoor

Image may contain: 12 people, people sitting, living room and indoor

Image may contain: tree, sky and outdoor

Image may contain: one or more people, people standing and outdoor

Image may contain: one or more people, people standing and outdoor

Panariti: Si narkovaluta e narkotrafikut po shkreton vendin

Ish ministri i Bujqësisë Edmond Panariti në një reagim në profilin e tij në Facebook shkruan se në “shpinën e shoqërisë shqiptare po luhet një dramë”, duke iu referuar raportit italian për narkotrafikun shqiptar.

Postimi i plotë i Panaritit

Raporti Italian mbi narkotrafikun shqiptar, dëshmon për dramën qe po luhet mbi shpinën e shoqërisë. Se pari narkovaluta e narkotrafikut, po e shkreton Shqipërinë!

Sepse ajo nuk shkon për zhvillimin e tij, qe do te arrihej vetëm me investime ne sferën prodhuese, por orvatet dhe po ja del te pastrohet me rrugën me te shpejte te mundshme, ne tregun e pasurive te patundshme, truaje, toka, kulla shumëkatëshe, kontrata koncensionare etj.

As qe pyet me, për histori, trashëgimi kulturore, vlera identitare etj. Kjo është super-flluska e cila krijon ne mënyrë sureale çmime te pa imagjinueshme për sipërfaqe trualli, toke bujqësore pasuri te patundshme por edhe te shërbimeve.

Te gjitha këto, te papërballueshme për mbi 90 perqind te popullit i cili e siguron jetesën me pune apo biznes te ndershëm. Rezultati, shkretim, braktisje e vendit, mbyllje te sipërmarrjes, paralize investimesh te huaja.

Ndryshimi i këtij modeli është emergjence kombëtare dhe behet vetëm me një alternative te re politike.

Rikthehet Babalja, opozita kallëzon Ramën në Prokurori

Kryetarët e Grupeve parlamentare të PD dhe LSI kanë kallëzuar në prokurorinë e Krimeve të rënda kryeministrin Edi Rama.

Ky kallëzim vjen pasi sipas Kryetarit të Grupit Parlamentar të PD, Edmond Spaho, kryeministri ka penguar zbulimin e të vërtetës për audio-përgjimin e vëllait të Ministrit, Fatmir Xhafaj.

Spaho kërkoi që Edi Rama të dorëzonte provën që kishte në lidhje me audio-përgjimin, duke iu referuar deklaratës së bërë nga shefi i qeverisë se një laborator në një vend mik të Shqipërisë e kishte nxjerrë atë jo të vërtetë.

Albert Veliu, apo i njohur ndryshe si “Dëshmitari X” dhe “Babalja”, garantoi se zëri në regjistrimin e publikuar nga PD, është i Agron Xhafajt.

Dëshmitari Veliu tha në videon e publikuar në sallën e konferencave të PD-së, kohë më parë se dikur ishte shoqërues gomonesh, ndërsa Agron Xhafaj në Itali sillte droga, që i shiste ai me shokë. Ai tha se në 2005 u burgos 7 vjet për 12 kg kokainë.

Kur doli nga burgu në gjendje të rëndë ekonomike, Alberti i kërkoi Agronit të çonin hashash në Itali dhe ai e dërgoi tek persona të tjerë.

Ai e kërkoi rrugën e trafikut, por nuk e kreu dërgesën por i hyri kësaj vetëm për të demaskuar se cili është Agron Xhafaj, i cili sipas tij komandon Vlorën.

Zëri i Amerikës: Anëtari i Gjykatës së Lartë, i dënuar në Itali

Në Shqipëri të dhënat e grumbulluara nga Operacioni ndërkombëtar i Monitorimit, i cili mbikqyr dhe ndihmon procesin e rivlerësimit të gjykatësve dhe prokurorëve, zbuluan sot se gjyqtari i Gjykatës së Lartë Admir Thanza ka qenë dënuar në vitin 1999 për vjedhje në Itali ku dhe është dënuar. Gjatë seancës dëgjimore, gjykatësi tha se kishte marë përsipër krimin për të ndihmuar një të afërm të tij, por ai e ka mbajtur të fshehur këtë fakt. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka gjetur probleme në të tre shtyllat e rivlerësimit, ndërkohë që gjyqtari Thanza rezulton të jetë hetuar dhe për korrupsion, në një çështje të mbyllur më pas nga prokuroria.

Ndërsa nuk ka mbushur ende 50 vjec, gjyqtari Admir Thanza ka patur një karrierë për t’u patur zili, me një ngjitje të shpejtë në majat e sistemit, nga anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në anëtar të Gjykatës Kushtetuese në moshën 40 vjeçare dhe aktualisht në Gjykatën e Lartë. Por sot, në seancën dëgjimore të procesit të rivlerësimit, ai pa se gjithshka rrezikon t’i shembet para syve. Atij i janë komunikuar probleme me pasuritë e deklaruara: fshehje të të ardhurave apo deklarime të rreme. Probleme janë konstatuar dhe në vlerësimin profesional, për mënyrën e administrimit të dosjeve. Ndërsa goditja më e madhe ka ardhur lidhur me integritetin e figurës së tij.

Ekspertët ndërkombëtarë që asistojnë procesin kanë zbuluar një fakt që ai e ka mbajtur fshehur prej shumë vitesh e që nuk e ka deklaruar as gjatë procesit të rivlerësimit. Në qershor të vitit 1999, ndërsa ishte në funksionin e gjyqtarit, ai është dënuar nga Gjykata e Pizës në Itali me 40 ditë burgim dhe 100 mijë lireta gjobë për vjedhje në bashkëpunim me të tjerë, madje ka qenë vetë i pranishëm në sallën e gjyqit kur është dhënë vendimi.

Gjyqtari e ka pranuar këtë ngjarje, duke shpjeguar se ai nuk e kishte kryer vjedhjen porse kishte marrë përsipër aktin e bërë nga kunata e tij për të shpëtuar nipin që ndodhej i shtruar në spital nga një sëmundje e rëndë, dhe nëse do të dënohej e ëma atëherë ajo do të kthehej në Shqipëri dhe nipi s’do kish patur mundësi kurimi.

Po ashtu ndaj tij, u bë i ditur dhe një tjetër fakt i vetëm para dy viteve të cilin ai sërish nuk e kishte deklaruar në formularët e vettingut. Për gjyqtarin Thanza, ka patur dhe një procedim penal për korrupsion. Ndërsa policia vëzhgonte të afërmin e një të dyshuar për një vepër penale, ajo ka filmuar takimin me gjyqtarin Thanza. Dyshimet kanë qenë për një pagesë e bërë në favor të tij që ai të ndërhynte për të lehtësuar pozitën e të akuzuarit në gjykatën e Shkodrës. Por çështja është mbyllur në korrik të vitit 2016 nga prokurori Kosta Beluri.

Koincidencë ose jo, prokurori Beluri kishte radhën sot pas gjykatësit Thanza që të dilte para Komisionit të pavarur të Kualifikimit. Ndërsa pasuria e tij ka rezultuar pa probleme, pushimi i çështjes ndaj Thanzës ka qenë pika e errët në procesin ndaj tij. Rreth këtij momenti janë vërtitur edhe pyetjet e trupës gjykuese, ndërsa prokurori ka deklaruar se çështja i ka kaluar atij dy muaj nga momenti i filmimit, gjë që e pamundësonte vërtetimin e korrupsionit të dyshuar. Sipas tij policia do të duhet të kishte ndërhyrë për të bërë ndalimin në flagrancë. Ai deklaroi gjithashtu se pamjet që i ishin vënë në dispozicion nuk kishin qenë të qarta, ndryshe nga ato që zotëron vetë KPK për ngjarjen, duke këmbëngulur më pas, se ishte i bindur se kishte vepruar drejt.

Por nëse shpjegimet e tij kanë qenë bindëse ose jo për Komisionin, kjo mbetet për t’u mësuar pas dy ditësh, ndërkohë që për Thanzën, vendimi do të jepet pas një jave

Shkrimtari i shquar Visar Zhiti, diplomat i Shqipërisë në Uashington takohet me Sekretarin e Shtetit, Michael R. Pompeo (fotot)

VOAL – Shkrimtari i shquar Visar Zhiti, diplomat i Shqipërisë në Uashington, kujton takimin me Sekretarin amerikan të Shtetit Michael R. Pomepo, para pak ditësh, në festimet e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara.

Visar Zhiti e përshkruan kështu takimin dhe foton me z. Pompeo:

“Në një taracë afër qiellit, kur do të shkrepëtinin fishekzjarret e Pavarësisë… dhe më pas ato të kujtesës… Nëpërmend rastin e takimit me Sekretarin e Shtetit, Michael R. Pompeo, thjeshtë dhe përzemërsisht… Koha bën njerëz, njerëzit bëjnë kohë, mendova… Shkrepëtimat e shkëlqimeve jashtë shuhen, mbeten ato që janë brenda vetes, prej virtyteve dhe punës, ato të dritës sē mirësisë njerëzore…
V. Zhiti”

Rama e Tsipras “kokë më kokë” në Londër: Një zgjidhje pozitive mund të arrihet së shpejti

LONDER – Dy kryeministrat ai i Shqipërisë, Edi Rama dhe Aleksis Tsipras i Greqisë gjatë një takimi që kanë zhvilluar në Samitin e Londrës janë shprehur se mund të arrihet një zgjidhje pozitive mes dy vendeve.

Në postim në faqen e Twitter të Kryeministrisë thuhet se “Dy kryeministrat diskutuan rreth negociatave mbi një numër të madh çështjesh, që po drejtohen nga Ministrat e Jashtëm dhe vleresuan arritjet e deritanishme”.

“Ndonëse ka endë çështje që do të vazhdojnë të diskutohen nga ekipet negociatore, Kryeministrat Rama dhe Tsipras shprehen besimin se një zgjidhje pozitive mund të arrihet së shpejti”, thuhet në postimin e Kryeministrisë.

Banesa e Musine Kokalarit e rrënuar – “Premtimet për restaurim nuk janë mbajtur”

GJIROKASTER – Katër vite pas djegies dhe shkatërrimit të plotë të banesës karakteristike të shkrimtares dhe disidentes Musine Kokalari, pas një zjarri të papritur që shkatërroi gjithçka, banesa trekatëshe në lagjen “Palorto” në qytetin e Gjirokastrës është lënë krejtësisht në harresë.

Të vetmit që po kujdesen për rrënojat e mbetura të banesës 120-vjeçare, të shpallur Monument Kulture i Kategorisë së Parë, janë trashëgimtarët e shkrimtares.

Arieta Kokalari, pasardhëse e kësaj familjeje dhe ideatore e muzeut “Kokalari”, pohon se pavarësisht premtimeve të dhëna për restaurimin e banesës, nuk ka patur asnjë interesim nga institucionet përgjegjëse.

Keqardhja e saj është dëmtimi i qëllimshëm që po i bëhet banesës. Sot shtëpia i ka të dyja hyrjet të izoluara e të bllokuara nga gurët e hedhur nga brenda banesës prej fqinjëve. Kjo e bën të pamundur hyrjen në të.

Zjarri i papritur i katër viteve më parë zhduku sende të rralla të hershme të banesës si dhe shkatërroi tavanet origjinale të ndërtuara në fillim të shekullit të kaluar. Ajo çka ka mbetur janë vetëm muret anësorë e qendrorë të banesës dhe premtimet e pambajtura për restaurimin dhe ringritjen e muzeut të disidentes Musine Kokalari.

Në shkurt të 2017-ës, ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro në 100-vjetorin e lindjes se Musines Kokalarit, deklaroi se është bërë projekti për reastaurimin e banesës nga Instituti i Monumenteve të Kulturës, por ndonëse ka kaluar një vit e gjysmë asgjë nuk është bërë.

Albana Vokshi kërkon paraqitjen në Komisionin Parlamentar të Valdrin Pjetrit, Kryeregjistrues i ZRPP bashkë me dokumentacionin që lidhet me Teatrin Kombëtar

Deputetja e PD Albana Vokshi, kryetare e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik më datën 9 korrik 2018 i ka dërguar kërkesë për pjesmarrje në mbledhjen e Komisonit më datën 11 korrik Valdrin Pjetrit, Kryeregjistrues i Zyrës të Regjistrimit të Pasurive të Paluajshtme.

Zonja Vokshi, konform kornizës ligjore i kërkon Valdrin Pjetrit që jetë i pranishëm në mbledhjen e Komisionit për të dhënë informacione dhe shpjegime në lidhje me sipërfaqen aktuale të pronës ku ndodhet Teatri Kombëtar, ndryshimet që ka pësuar ndër vite, mënyrën e tjetërsimit të pronave rreth saj, si dhe pronarët kufitarë të pronës së Teatrit Kombëtar.

Zonja Vokshi kërkon me shkrim që zoti Pjetri t’ju vendosë në dispozicion deputetëve kartelën e pasurisë të paluajtëshme të pronës të Teatrit Kombëtar si dhe gjithë infomacionin shoqëruar me dokumentacionin ligjor provues, të cilat deputetët duhet t’i kenë në dorë në orën 9:00, dy orë përpara zhvillimit te mbledhjes të Komisionit që nis në orën 11:00 të datës 11 korrik 2018.

Deputetja Vokshi i kujton zotit Pjetri se sipas Kushtetutës të vendit dhe rregullores të Kuventit pjesmarrja e tij në mbledhjen e Komisionit bashkë me përcjelljen e dokumentacionit të kërkuar përbën detyrim kushtetues dhe ligjor.

Këtu mbyllet kërkesa që deputetja e PD dhe kryetarja e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik i drejton z.Valdrin Pjetri, Kryeregjistrues i Pasurive të Paluajtshme.

Më poshtë po ju sjellim faksimilet e letrës të deputetes Vokshi.

 

Artistët letër Presidentit Meta: Mos dekreto ligjin për Teatrin!

Përmes një letre ku shpjegohet aryset dhe shkeljet ligjore që ka kryer maxhoranca në votimin e projektligjit që i hap rrugën shkembjes së Teatrit Kombëtar, Aleanca kundër prishjes së Teatrit i ka kërkuar Presidentit Ilir Meta që të mos dekretojë ligjin.

Letra është dërguar këtë të hënë në zyrën e Presidencës dhe tashmë pritet sesi do të jetë reagimi i Ilir Metës në lidhje me këtë çështje të shumëdebatuar.

Ligji i hap rrugën dhënies së tokës së Teatrit një firme ndërtuese, shembjes së tij e krijimit të një Teatri të ri, duke mos harruar dhe faktin se do të ndërtohen dhe një sërë kullash të larta pikërisht në këtë territor.

Kujtojmë se disa herë artistët i kanë bërë thirrje Presidentit që të reagojë në lidhje me çështjen e Teatrit Kombëtar.

Bojkoti i PD-LSI, PS-ja shtyn votimin për ligjin që kërkon 84 vota

FATION BINJAKU/ Shumica parlamentare pritej te perballej sot ne Kuvend me sfidën e 84 votave, ose siç njihet ndryshe shumica e cilësuar. Në seancën e së hënës është përfshirë në axhendën e votimit një ndryshim në një prej projektligjeve të paketës së Reformës në Drejtësi.

Por ne seance mungoi sot PD dhe LSI, nderkohe qe zyrytarisht, LSI sqaroi permes deputetit Nasip Naco pse nuk do te votoje pro ligjit ne fjale. Perballe nje situate te tille, shumica ka vendosur te shtyje votimin e ligjit qe kerkon shumicen e cilesuar, pra 84 votat ne Kuvend.

 

Nisma në fjalë është një ndryshim në ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, që i lejon Shkollës së Magjistraturës së pranojë studentë për vitin e ri akademik 2018- 2019, edhe pse ata nuk i janë nënshtruar më parë procesit të vetingut.

Projektligji “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” është miratuar në vitin 2016, nga maxhoranca e atëhershme, koalicioni mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Por duke qenë se marrëdhëniet nuk janë më të njëjtat mes PS dhe LSI-së, burime nga maxhoranca bëjnë me dije se po tentohet të arrihet një dakordësi me deputetë të veçantë në kampin e opozitës.

NEGOCIATAT

Burime të “Panorama” konfirmuan se Partia Socialiste do të kërkojë fillimisht konsensus nga opozita për ta kaluar këtë projektligj të Reformës në Drejtësi. Në rast se PD do të refuzojë negociatat, do të zhvillohen me grupin e LSI-së, duke qenë se së bashku e kanë miratuar dhe në të shkuarën.

Por edhe nëse ky nuk funksion, atëherë do të kalohet tek plani B. Maxhoranca ka nisur bisedimet në mënyrë individuale me deputetë jashtë grupit parlamnetar të PS. Burime thanë se diskutimet kanë nisur me disa deputetë të pavaruar dhe nga LSI.

Po ashtu burimet shtuan se janë në diskutime, por mundësitë janë që në seancën e ditës së hënë projektligji “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, nuk do të hidhet për votim. Për këtë nismë, maxhoranca do ezaurojë pjesën e debatit, por në momentin e votimit, do të kërkohet shtyrja për në seancën e radhës, duke qenë se negociatat nuk janë përfunduar ende.

NUMRAT

Partia Socialiste bashkë me aleatët e saj do arrijë të mbledhë në Parlament gjithsej 79 vota. Por për të arritur shumicën e cilësuar, PS-së i nevojiten edhe 5 vota të tjera, që të arrihen 84 vota. PS ka zyrtarisht 74 mandate në Parlament. Deputetët e PDIU e ndjekin në çdo votim PS-në me tri votat e tyre, atë të Reme Lalës, Dritan Bicit dhe Elena Xhinës. Tjetër votë “besnike” e PS-së është ajo e deputetit të Shkodrës, Tom Doshi.

Po ashtu maxhorancës i është shtuar dhe një tjetër votë, ajo e Robert Bitrit. Deputeti i Fierit, është “divorcuar” zyrtarisht me Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe tashmë në Parlament është listuar si deputet i pavarur.

Nga radhët e Lëvizjes Socialiste për Integrim janë disa deputetë që kanë mbajtur në disa raste qëndrime ndryshe nga Grupi i LSI-së. Në një kohë që deputetët e LSI-së janë larguar nga salla e Kuvendit, qëndrim ndryshe kanë mbajtur deputeti i Shkodrës, Agron Çela, deputeti i Gjirokastrës, Vangjel Tavo, ish-ministri i Drejtësisë, Nasip Naço dhe ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka.

Këta të fundit, ndryshe nga pjesa tjetër e grupit, kanë votuar në Kuvend, ndërkohë që pjesa tjetër e deputetëve të LSI-së ka braktisur sallën si Partia Demokratike.

Pse Majko është dëshmitari i fundit i PS që ka vdekur – Nga ANDI BUSHATI

Vendimi i ish-dy herë kryeministrit të PS-së, për të mos votuar ligjin, sa grabitqar po aq edhe harbut, për shembjen e teatrit, nuk ishte thjeshtë një akt burrërie, fisnikërie dhe koherence politike. Ai nuk qe gjithashtu vetëm mbajtja e një premtimi që ish-shefi qeverisë në vitin e largët ‘99, i kishte dhënë artistëve. Më shumë se gjithçka, ajo që Pandeli Majko bëri të enjten që shkoi në parlament, qe një requiem për një PS që tashmë ka dhënë shpirt.

Si një nga anëtarët më të vjetër të kësaj partie, Majko e mban mend formacionin, që megjithëse i mbushur me punistë, i hapi hapi deyert dy pjestarëve të studentëve të dhjetorit, atij dhe Ilir Metës. Ai e kujton mirë se organizata rinore që themeloi, FRESH-i, ishte ëndërrimtarja e parë e një Shqipërie në NATO, atëherë kur shumica e konservatorëve në PS e konsideronin këtë gjë si sakrilegj.

Ai i ka të ngulitura në kujtesë sekuencat e mocionit epik të ’96, kur kryetari i burgosur Nano, konkuronte në bllok me gjithë establishmentin e atrofizuar të partisë.

Ai i ruan në memorie hapat e parë të qeverisë së pas ’97, ku megjithëse kishin një stërmazhorancë votash, socialistët e ndanë drejtimin e vendit me anëtarë të spikatur të koalicionit nën moton: “Të sakrifikojmë pushtet për të bërë shtet”.

Natyrisht, Pandeli Majko nuk ka se si të harrojë se si kjo parti kolegjale, e hapur dhe tolerante, ndëshkoi gafat e dy kryeministrave të zgjedhur prej saj, Nanos dhe Metës për t’i hapur atij vetë, rrugën e drejtimit të vendit. Po ashtu, besoj se nuk është bërë pishman, që do të mbahet mend si i vetmi kryeministër i Shqipërisë, që ka humbur për një grusht votash garën brenda partisë (kongresi i dhjetorit të 1999), duke refuzuar plot dinjitet të përdorte armët okulte që të pushtetit.

Pikërisht, këtë PS, që sot mund të duket si ëndërr, trashëgoi Edi Rama në vjeshtë – dimrin e 2005. Një parti që i dha atij mandatin e kryetarit, por duke i rrëzuar me një maturi dhe sens të pakrahasueshëm ekuilibri, platformën që paraqiti. Një parti ku lulëzonin të gjitha lulet, ku bashkëjetonin të gjitha rrymat dhe ku ata që kishin mbetur në minorancë në mbrojtje të një ideje, prisnin radhën sipas lojës së magjishmë të politikës të bëheshin shumicë në të ardhmen.

Mjaftuan pak vite që kryeministri aktual ta përdhoste këtë pasuri që i kishte siguruar dhe vendit një drejtpeshim të mahnitshëm: sa herë që Shqipëria rrezikonte të rëshkiste në autoritarizëm, qytetarët i besonin PS-së rivendosjen e balancave.

Në një kohë të shkurtër, garat epike Nano-Majko për kryetar u zëvendësuan nga farsat qesharake Rama-Lakrori. Nga statuti u zhduk neni për dorëheqjen e liderit që e shpie partinë në humbje. Konkurenca u zhduk deri sa në fund degradoi në modelet Kim-jong Un-jane të kryetarit të përjetshëm. Brenda PS, ashtu siç thoshte Blushi, të gjithë filluan t’i përshtaten devizës: “Mos i fol shoferit”. Të tërë ulën kokën pa bërë zë kur parlamenti u mbush me burra që vinin direkt nga krimi dhe me gra të dhunuara merita e vetme të të cilave qe idhujtaria ndaj shefit.

Pikërisht, ky model që ne e njohim paradoksalisht me emrin Rilindje votoi pak ditë më parë për prishjen e Teatrit Kombëtar. Kokëulur , të pështirë, servilë deri në neveri dhe trutharë deri në krenari ata iu bindën delirit kleptokratik të shefit të tyre.

Ndryshe nga ata, Pandeli Makjo nuk mund të mbërrinte deri këtu. Dy herë kryeministër, deputet që është shqetësuar ndryshe nga të parët për imazhin e tij publik, me profilin e një politikani të pa korruptuar dhe që shpesh e ka vuajtur koherencën ndaj bindjeve të veta (mbeti jashte qeverisë në 2013 vetëm se denoncoi marrëveshjen e tepsisë PS-LSI) ai tregoi se i përket një race tjetër.
Asaj PS-së së parë, ku mendimi ndryshe respektohet, ku politikani vleresohet nga qëndrimet dhe jo nga aftësia për t’u përkulur, ku politika ka vlerë se është një lojë me rregulla dhe parime.

Natyrisht duke i qëndruar besnik këtij modeli, Majko nuk bëri asgjë më tepër sesa ruajtja e respektit për veten. Ai nderoi historinë e tij personale dhe angazhimet që ka pasur në të shkuarën. Ndërsa për PS ky akt nuk ka më asnjë vlerë. Sepse ajo parti që do të evokojë Majko, tashmë ka vite që ka vdekur. Fatkeqësisht gjesti i tij me shumë se për gjithcka vlen për të na kujtuar këtë. Lapsi.al

Izet Haxhia e kërkon në gjyq, Fatos Klosi: Do dëshmoj para gjykatës, ai u dënua kot

Izet Haxhinë e pret një betejë e gjatë gjyqësore për të fituar pafajësinë e tij. I vetëdijshëm për këtë gjë, ai, përmes avokatit të tij mbrojtës, Bashkim Nikolla ka vendosur që t’i luajë të gjitha “letrat” dhe ka planifikuar që të thërrasë në seancat gjyqësore plot 44 emra për të dëshmuar për vrasjen e Azem Hajdarit.

Midis të “piketuarve” të Izet Haxhisë bën pjesë edhe ish-kryetari i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi. Ish-truproja e Sali Berishës e kërkon Klosin në gjyq për të dhënë detajet e tij mbi vrasjen e shekullit, duke qenë se ai ka qenë kreu i SHISH në periudhën kur ka ndodhur ngjarja në fjalë.

 

Ndërkohë, Fatos Klosi ka vendosur që në rast se i vjen një thirrje për të dëshmuar, do t’i përgjigjet pozitivisht. Gjatë një prononcimi për gazetën “SOT”, ai deklaroi se do të paraqitet me patjetër para trupës gjykuese për të thënë gjërat që di.

“Sigurisht që paraqitem. Nuk e kam problem fare. Vetëm se unë paraqitem në emër të SHIK-ut të dikurshëm. Nuk kam asgjë personale.

Unë do të them atje të gjitha gjërat që dinte SHIK-u. Në fakt të gjitha këto gjëra janë të shkruara, unë nuk di asgjë tjetër dhe as më pak. Unë kam bërë për këtë problem shumë shkresa në atë kohë, tek Ministria e Brendshme, tek Drejtoria e Policisë, presidentit, kryeministrit, janë shumë. Deri tani vetëm një ka dalë shkresë. Gjykata le t’i marrë këto shkresa dhe t’i gjykojë, por unë nuk them dot asgjë më tepër mbi ato. Unë ato që i di, i di si ish-drejtor i SHIK. Unë sigurisht që shkoj për të dëshmuar, por pak a shumë qëndrimin tim e kam bërë publik. Do të shkoj për korrektesë qoftë ndaj gjykatës, qoftë ndaj të drejtës së Izet Haxhisë për t’u gjykuar”, tha ish-kreu i SHISH.

Ai shtoi më tej se Izet Haxhia ka të gjithë të drejtën të kërkojë pafajësinë pasi sipas tij, është dënuar kot.

“Pavarësisht se me Izetin ndonjëherë kemi bërë ndonjë debat në distancë, unë nuk kam asnjë problem me të. Unë do të doja me të vërtetë që ai të përfitonte diçka nga kjo punë sepse me të vërtetë e kanë dënuar rëndë. 25 vite burg pa qenë fare pjesëmarrës aty më duket absurde”, u shpreh ai.

Fatos Klosi nuk la pa thumbuar edhe ish-kryeministrin Sali Berisha gjatë prononcimit të tij. Duke komentuar faktin që Berisha është thirrur shumë herë si dëshmitar në seancat e para gjyqësore për vrasjen e Azem Hajdarit, por nuk është paraqitur, ish-kreu i SHISH theksoi se ky është një tregues frike.

“Mua më duket e drejtë kërkesa e Izet Haxhisë për t’u ballafaquar vazhdimisht me Sali Berishën. Qoftë Izet Haxhia, qoftë të tjerë që u dënuan për këtë punë kërkuan të ballafaqoheshin me Berishën dhe ai nuk denjoi ndërkohë që ishte i pari mbas ngjarjes që deklaroi se kush e bëri, si u bë, si ndodhi ngjarja, etj.

Gati-gati i tha këto gjëra aq pak kohë pas ngjarjes, saqë duket sikur Sali Berisha këto gjëra dhe detaje i kishte vendosur më parë. Ai dinte shumë për atë problem dhe nuk guxoi njeri ta merrte me forcë dhe ta vinte para përgjegjësisë.

Nuk e di pse nuk u bë asnjëherë një gjë e tillë. Nëse do të vihej para përgjegjësisë, ai do të shkonte si çeço pastaj”, nënvizoi Klosi.

Ish-kryetari i Shërbimit Informativ shtoi më tej se Berisha nuk ka guxim të dalë para gjykatës e të hedhë akuza njësoj siç bën në jetën politike sepse është i frikësuar nga hetimi.

“Ai duhet të ishte në shumë ngjarje për të cilat ka folur, për të cilat ka dhënë mendim apo për të cilat ka thënë fakte gjoja, por asnjëherë nuk është thirrur. Asnjëherë nuk kanë guxuar t’i shkojnë deri në fund kësaj pune. Ai ka përfituar nga kjo punë. Berisha i shmanget përgjegjësisë. Në gjykatë në qoftë do të dëshmonte, do të dëshmonte si person nën hetim dhe problemet janë të ngatërruara.

Ndërsa duke folur kështu nëpër gazeta, në Parlament etj, ai nuk ka asnjë përgjegjësi. Ai i ka ndarë mirë këto punë. Deklaratat me përgjegjësi nuk i ka marrë përsipër. Nuk iu është afruar absolutisht fare.

Ndërsa për deklaratat për të shpjeguar çdo ngjarje që ndodh brenda dhe jashtë Shqipërisë, ai ta merr përsipër dhe fillon flet atje ku shmang përgjegjësinë”, tha Fatos Klosi.

Vokshi bën denoncimin: Kompania që do ndërtojë Teatrin ka marrë 127 tendera publikë nga Edi Rama

Partia Demokratike ka denoncuar sot sërish ndërtimin e kullave pranë Teatrit Kombëtar. Sipas deputetes Albana Vokshi, kullat do të ndërtohen në truallin e Teatrit.

“Patrimi i Parave të Pista të drogës dhe korrupsionit është arsyeja e vetme për nxitimin e Edi Ramës për të miratuar brenda 5 ditësh me procedurë të përshpejtuar, në shkelje të Rregullores, të 4 ligjeve në fuqi dhe të Kushtetuës një ligj të personalizuar me emrin e kompanisë Fusha. Duke përdorur Fusha shpk si kompani guackë për pastrimin e parave të pista të drogës dhe korrupsionit, fitimi minimal për Edi Ramën nga ky akt mafioz, i paprecedentë në historinë e Parlamentit shqiptar, është jo më pak se 205 mln euro”, tha ndër të tjera Vokshi.

 

Deklaratë e deputetes Albana Vokshi

Votimi antikushtetues i Parlamentit për të shembur Teatrin Kombëtar dhe për të grabitur tokën publike është një akt mafioz, nëpërmjet të cilit Edi Rama dhe kompania Fusha do të ndërtojnë 6 kulla në Qendrën Historike të Tiranës, 3 prej të cilave në territorin e Teatrit.

Patrimi i Parave të Pista të drogës dhe korrupsionit është arsyeja e vetme për nxitimin e Edi Ramës për të miratuar brenda 5 ditësh me procedurë të përshpejtuar, në shkelje të Rregullores, të 4 ligjeve në fuqi dhe të Kushtetuës një ligj të personalizuar me emrin e kompanisë Fusha.

Duke përdorur Fusha shpk si kompani guackë për pastrimin e parave të pista të drogës dhe korrupsionit, fitimi minimal për Edi Ramën nga ky akt mafioz, i paprecedentë në historinë e Parlamentit shqiptar, është jo më pak se 205 mln euro.

Pazaret e pista të Ramës me Fusha shpk nuk filluan sot dhe me këtë projektligj. Historiku i tyre është i pasur, por asnjëherë i hetuar nga organet e drejtësisë së kapur.

Ishte kompania Fusha shpk që Edi Rama ngarkoi për të kryer në të zezë punimet për të shndërruar godinën e kryeministrisë në një mjedis luksi.

Janë rreth 5 milionë euro që Fusha shpenzoi në favor të Edi Ramës tek kryeministria pa asnjë faturë, me para që askush nuk ia di burimin, ndërkohë që bizneseve të tjera u tregohet burgu dhe gjoba për mungesën e faturave.

Edi Rama nuk u tha kurrë shqiptarëve çfarë pazari bëri më Fusha shpk, kur ndërtoi shtëpinë superluksoze në Surrel, të deklaruar prej tij vetë se ka kushtuar 400 mijë euro.

Çdo punim për të cilin Edi Rama nuk ka paguar faturë, e kemi paguar ne të gjithë disa herë më shtrenjtë me favoret që i janë bërë më pas kompanisë Fusha shpk.

Në më pak se 4 vjet, kompania Fusha ka marrë 127 tendera publikë nga Edi Rama, me një vlerë rreth 80 milionë euro.

35 prej tyre, me vlerë 25 milionë euro, Fusha shpk I ka marrë vetëm brenda dy viteve nga Erion Veliaj, sekseri i Edi Ramës në Bashkinë e Tiranës.

Një pjesë e madhe e këtyre tenderave i janë dhënë kompanisë Fusha pa garë.

Nëse do të ishte zbatuar ligji dhe do të kishte fituar kompania me ofertën më të ulët, buxhetit të shtetit do t’i ishin kursyer mbi 6 mln euro. Mjaftueshëm për rikonstruktimin e Teatrit Kombëtar.

Ø Pa garë kompanisë Fusha shpk, i është dhënë ndërtimi i Sheshit Skënderbej, parkingu nëntokësor tek sheshi, që përmbyti veten, Bibliotekën dhe Bashkinë e Tiranës.

Ø Pa garë kompanisë Fusha i është dhënë Bulevardi i Vlorës dhe rikosntruksioni i Ministrisë së Brendshme, e krisur pas tërmetit 5.2 ballësh, të cilit Teatri Kombëtar i mbijetoi.

Ø Edi Rama i dha pak muaj më parë me konçesion kompanisë Fusha ndërtimin me 125 milionë euro të hidrocentralit të Kalivaçit, duke rikonfirmuar lidhjen e ngushtë me kompaninë guackë ku do të pastrojë paratë me ligjin posaçëm të Teatrit Kombëtar.

Skema mafioze e pastrimit të parave të pista të drogës dhe korrupsionit nëpërmjet shembjes së Teatrit Kombëtar dhe grabitjes së rreth 8500 metra katrorë pronë publike është e qartë:

• Edi Rama nxjerr jashtë loje Gjykatën Kushtetuese
• Edi Rama përdor kompaninë Fusha shpk për të bërë ofertën e pakërkuar
• Edi Rama miraton ligjin me procedurë të përshpjetuar.

Por Edi Rama ka harruar të llogarisë popullin!

Partia Demokratike, opozita, qytetarët që duan ruajtjen e vlerave kulturore, si pjesë e identitetit tonë europian, qytetarët që duan Tiranën, qytetarët që nuk pranojnë grabitjen dhe qeverisjen nga mafia nuk do të lejojnë triumfin e së keqes!

Transparenca e përditshme për këtë akt mafioz që i siguron Edi Ramës pastrimin e pasurisë së tij të paligjshme nga droga dhe korrupsioni do të ndihmojë shqiptarët të marrin vendimin e tyre.

Në ditët në vijim, Partia Demokratike do të publikojë fakte të tjera të rënda të kësaj afere korruptive dhe kriminale, që lidh Edi Ramën, Erion Veliajn dhe kompaninë Fusha më botën e krimit dhe drogës.

QYTETI I PJERRËT SHQIPTAR, I TËRI HISTORI, NË RRËNIM

Gjirokastra/ foto nga Gent Shullaku

 

Ju përcjellim shkrimin e AFP (Agence France-Presse) dhe shihni si e përshkruajnë gjendjen katastrofike të qytetit te Gjirokastrës, e ku ndërsa qyteti rrënohet përditë ministrja Mirela Kumbaro thotë “qyteti “nuk është më në rrezik” dhe se qeveria e ka marrë këtë problem në dorë.

GJIROKASTRA (AFP) – Banesa e Lolomanëve, dikur shtëpia e familjes osmane me atë emër, dikur kishte një pamje mbresëlënëse në qytetin malor të Gjirokastrës në Shqipërinë jugore.

Tani shtëpia është kthyer në gërmadhë, si dhjetëra të tjera në “Qytetin e Gurit”, të përkufizuar nga kështjella e saj, rrugët me kalldrëm të pjerrët dhe strukturat gëlqerore të argjendta me pamje nga Lugina e Drinos pranë kufirit me Greqinë.

Shumë prej ndërtesave shekullore, të fortifikuara, që i sollën qytetit një vend në listën prestigjioze të Trashëgimisë Botërore të UNESKO-s në vitin 2005, janë një atraksion turistik, por në rrezik zhdukja.

Disa janë të braktisur ose nuk janë ruajtur për vite, të tjerë kanë pësuar ndryshime që kanë shkatërruar vlerën e tyre historike, ose kanë më shumë se një pronar, që nuk bien në një mendje për punën e nevojshme ose janë shumë të varfër për ta bërë këtë.

Autoritetet në këtë vend ballkanik nuk kanë gjithashtu mjetet për t’i rinovuar ato.

“Ndjej dhimbje për çdo gur, çdo mur që po dëmtohet”, psherëtin Email Nacaj, bojaxhi 58-vjeçar, i cili kujton rënien e shtëpisë Lolomani në dimër 2016.

Më poshtë, kulmi i shtëpisë së tij ka rënë gjysma.

“Kam frikë këtu, por nëna ime nuk dëshiron të largohet”, thotë ai.

Edhe nëse kishte para, nuk mund të bënte asgjë – sepse kushëriri i tij, i cili jeton në kryeqytet, Tiranë dhe është bashkëpronar, refuzon.

Nga 615 monumente në qendrën historike të qytetit “më shumë se gjysma u nënshtrohen ndërtimeve ilegale ose jashtë kushteve teknike, ndërsa 169 janë në gjendje kritike ose në rrezik kolapsi”, paralajmëroi Europa Nostra, një federatë pan-europiane e OJQ-ve të trashëgimisë, në fillim të këtij viti.

 “Na ishte një herë…”

Shumica e ndërtesave datojnë që nga shekulli i 17-të dhe 18-të, edhe pse origjina e qytetit shkon më tej në histori dhe muret e tij janë ndërtuar në shekullin e 3-të.

Shkrimtari më i famshëm i Shqipërisë, Ismail Kadare, e përshkroi qytetin e tij të lindjes Gjirokastër, si “qytet i pjerrët, i vendosur në një kënd më të mprehtë se ndoshta çdo qytet tjetër në tokë”.

“Me siguri ishte vendi i vetëm në botë ku, nëse rrëshqisje në rrugë, mund të bije në çatinë e një shtëpie”, shkroi ai në romanin e tij të vitit 1971 “Kronika në gur”.

Emigracioni masiv ka komplikuar fatin e ndërtesave, pasi Gjirokastra nuk ka qenë imune ndaj prirjes që ka prekur Shqipërinë.

Popullsia e qytetit ka rënë nga 34,000 në 2011 në më pak se 25,000, sipas Engjell Seriani, kreu i turizmit të qytetit.

Shtëpitë e qytetit janë emëruar sipas pronarëve të tyre origjinalë, personaliteteve të Perandorisë Otomane si Lolomani, Karaulli, Fico, Zeko, Babameto, fuqia e të cilëve është matur me numrin e oxhaqeve në shtëpitë e tyre.

Sot, Sokol Karaulli, pasardhës i një prej këtyre familjeve fisnike, thotë se mënyra e tij e jetesës është shumë larg nga zhurma e pesë oxhaqeve të mëdha të shtëpisë së tij.

Një ish-ushtarak, por ende nuk ka të drejtë për pensionin e tij, ai thotë se ata mbijetojnë vetëm në sajë të pagës së gruas së tij që punon në pastiçeri.

“Dita kur do të themi “Na ishte dikur Gjirokastra “, ka ardhur paralajmëroi 60-vjeçari.

Karaulli ndërpreu rrymën në katin e parë dhe vendosi enë plastike për pikat e ujit, për të mbledhur ujin që rridhte e që kishte përfshirë tashmë trarët prej druri të shtëpisë së tij të shkatërruar.

– “Përkeqësimi i përditshëm”

Rreth pazarit të qytetit, fasadat e pastra janë poshtë në një restaurim prej tre milionë eurosh (3.5 milion dollarë), të vendosur nga një shoqatë shqiptaro-amerikane dhe Banka Botërore.

Shitore të vogla u japin suvenire turistëve, 77.000 prej të cilëve vizituan kështjellën vitin e kaluar. Numri i tyre rritet 10 deri 15 për qind në vit.

“Sidoqoftë Gjirokastra nuk është vetëm pazari dhe ato vende emblematike”, tha arkitektja Lejla Haxhiç, i OJQ-së Trashëgimia Kulturore pa Kufij (CHwB).

Diku tjetër, “situata … po përkeqësohet dita ditës,” i tha ajo AFP.

Në vitin 2014, OJQ-ja kishte paralajmëruar për “shkatërrimin e shpejtë” të rretheve historike të qytetit, ku ish-diktatori komunist shqiptar Enver Hoxha u rrit.

Nga 650 ndërtesat që mori në konsideratë, CHwB tha se 40 ishin në gjendje shumë të keqe, 34 ishin në gërmadha ndërsa 15 ishin në prag të rënies.

Tani, numri në gërmadha ka shkuar deri në 47, thotë.

-“Vetëm një Gjirokastër në botë”

Sot rreth 80 shtëpi janë të pabanuara, duke ngritur mundësinë që një çati qe pikon të ndikojë në strukturën prej druri.

“Çdo ditë shoh diçka që është e gabuar, sikur ndërtesa të më pëshpërit për të bërë diçka”, tha zëvendëskryetari i bashkisë Vangjel Muço.

Por me një buxhet të përgjithshëm prej 2.5 – 3.0 milion euro, komuna e tij nuk mund ta trajtojë çështjen siç duhet.

Ministrja shqiptare e Kulturës Mirela Kumbaro këmbëngul se qyteti “nuk është më në rrezik” dhe se qeveria e ka marrë këtë problem në dorë.

Që nga viti 2013 janë ndaluar ndryshimet strukturore në shtëpitë e Gjirokastrës. Ajo gjithashtu ka shpresa të mëdha për një ligj të sapo miratuar mbi themelet kulturore, si dhe për turizmin pas konvertimit të rreth 20 shtëpive në hotele.

Por CHwB (Trashëgimia Kulturore pa Kufij) beson se Gjirokastra mund të shpresojë për “jo më shumë se 10,000 euro” nga buxheti kombëtar.

Dhe renovimi i vetëm shtëpisë Babameto kushtoi 160,000 euro që erdhën nga Suedia.

Vetëm për të përforcuar të gjitha rrënojat do të duhen 1.2 milion euro, sipas Hadzic.

“Të gjithë aktorët që merren me trashëgiminë kulturore duhet ta marrin atë me seriozitet dhe të ndërhyjnë sa më shpejtë që të jetë e mundur, sepse ka vetëm një Gjirokastër në botë”, paralajmëroi ajo.

Deputeti Gurakuqi: Diktatori ndalon hyrjen ne Teatrin Kombetar te punonjesve dhe aktoreve !

Deputeti i Parlamentit të Shqipërisë Romeo Gurakuqi shkruan sot në rrjetin social:

“Nga sot, Diktatori ndalon hyrjen ne Teatrin Kombetar te punonjesve dhe aktoreve.
Kjo eshte nje shkelje arbitrare e procedurave permbyllese te legjislacionit dhe dhunim i shtetit te se drejtes.”

Reagim ndaj masave ndëshkuese të kryeministrit Edi Rama, profili i të cilit nuk dallohet nga ai i diktatorëve në regjimet e kapura!

PD: Meta të mos dekretojë ligjin për Teatrin

Në Shqipëri, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, përsëriti sot thirrjen drejtuar Presidentit Ilir Meta që të mos firmosë ligjin e miratuar mbrëmë nga parlamenti me votat e socialistëve për projektin e Teatrit të ri Kombëtar në Tiranë.

“Akti i djeshëm është një ligj që ligjëron vjedhjen. I vetmi qëllim është grabitja e tokës në mes të Tiranës për të ndërtuar 6 kulla masive betoni. Nuk ka pra asnjë lidhej me artin e kulturën. Nuk bëhet për Teatrin. Ne i bëjmë thirrje Presidentit të mos dekretojë ligjërimin e vjedhjes”, u shpreh zoti Basha.

Sipas kreut të PD-ës, “qëllimi kryesor i projektit është pastrimi dhe qarkullimi i parave të pista të drogës, krimit dhe korrupsionit”, u shpreh ai ndërsa shtoi se “ligji që ka miratuar dje parlamenti është antikushtetues dhe shkatërrim i shtetit ligjor”. Kreu demokrat paralajmëroi “përballje në sheshe dhe në rrugë” kundër qevrisë, dhe tha se opozita do të mbështesë “pa asnjë hezitim çdo akt të paralajmëruar nga artistët në ambientet e Teatrit e kudo”.

Projektligji u miratua mbrëmë mes tensioneve në sallën e parlamentit, ndërsa jashtë saj, grupe artistësh ishin grumbulluar që paraditen e së enjtes për të kundërshtuar planin e qeverisë.

Sipas projektligjit, Bashkia e Tiranës do të hyjë në bisedime me kompaninë “Fusha” e cila do të ndërtojë me shpenzimet e saj një godinë të re të Teatrit në këmbim të lejes për të ngritur në zonën përreth, mbi një sipërfaqe publike një kompleks ndërtesash shumëkatëshe.

Kina, Shqipëria dhe “Formati 16 + 1” – Nga BESNIK MUSTAFAJ

Më 7 korrik zhvillohet në Sofje takimi i 7-të në kuadrin e Formatit 16 + 1, një Format ky i iniciuar nga Kina qysh në vitin 2012 për të strukturuar bashkëpunimin ekonomik me vendet e Europës Qendrore dhe Lindore, ku përfshihet qysh në zanafillë edhe Shqipëria. Ky takim do të jetë në nivel kryeministrash, me ç’rast vjen edhe kreu i qeverisë kineze Li Keqiang. Pritet edhe pjesëmarrja e Kryeministrit Rama. Edhe pse nga zyra e tij nuk është publikuar ndonjë lajm i qartë. Është rasti, megjithatë, të flitet mbi ecurinë e këtij Formati, i cili është i kombinuar me projektin e madh “Një brez – një rrugë”, një projekt ky po ashtu i iniciuar dhe i udhëhequr gjatë zbatimit nga Kina.

Unë nuk kam informacione për të bërë një tablo të përgjithshme të hopit të ri që ka marrë bashkëpunimi ekonomik i 16 vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore me Republikën Popullore të Kinës pas krijimit të këtij Formati. Por fakti që vetë Kryeministri kinez vjen në Sofje për t’u takuar me kryeministrat e këtyre vendeve, tregon vlerësimin e lartë të qeverisë kineze. Për t’ia arritur qëllimit të përbashkët kërkohet i njëjti vlerësim dhe respekt edhe nga qeveritë e vendeve tona.

Projekti “Një brez – një rrugë” është gjigant. Ai do të ringjallë arterien kryesore, nëpër të cilën lëviznin dikur mallrat dhe njerëzit midis Kinës dhe Europës, e njohur në histori me emrin “Rruga e mëndafshit”. Po tashmë infrastruktura do të jetë krejtësisht moderne, e pajisur me autostradë dhe hekurudhë. Është një projekt që vetëm Kina mund ta ndërmerrte. Nëpërmjet këtij projekti, Kina do të rrisë ndjeshëm rolin e vet në zhvillimet ekonomike globale. Përfituesit kryesorë do të jenë Kina, e gjithë Europa, Rusia si dhe Republikat ish – Sovjetike që kjo infrastrukturë komplekse komunikimi përshkon. Indirekt, kjo infrastrukturë do të jetë shumë e dobishme edhe për ekonominë e Turqisë dhe ekonomitë e vendeve të Lindjes së Mesme. Perspektiva e Formatit “Mekanizmi 16 + 1” është natyrshëm e kombinuar me këtë projekt.

Pyetje që vlen të shtrohet në Tiranë në prag të këtij samiti është: Sa eficiente ka qenë Shqipëria të përfitojë nga kjo mundësi për të thithur investimet kineze në krahasim me vendet e tjera, përfshirë ato të rajonit? Unë përsëri nuk kam statistika për të folur në mënyrë konkrete. Fakt është se ekonomia shqiptare është jo vetëm më e vogla, por edhe më e dobëta midis 16 vendeve të përfshira në këtë Format të përbashkët bashkëpunimi. Rrjedhimisht, edhe mundësitë e saj për të përfituar nga oportunitete të tilla janë më të vogla. Këtij realiteti i shtohet edhe një pengesë tjetër, e cila nuk është objektive: korrupsioni. Shqipëria është vendi me nivelin e korrupsionit dukshëm më të lartë, krahasuar me vendet e tjera të përfshira në këtë mekanizëm. Dihet mirë se korrupsioni është një gangrenë për bashkëpunimin ekonomik ndërkombëtar.

Do të shtoja edhe një faktor tjetër, i cili e ul ndjeshëm eficiencën e Shqipërisë në kuadër të këtij Formati. Fjala është për kapacitetet e ulëta të administratës shqiptare për të hartuar projekte cilësore për t’i bindur partnerët kinezë mbi rëndësinë dhe rentabilitetin e investimeve të tyre potenciale. Po sjell si shembull koncesionin e ndërtimit të Rrugës së Arbrit. Vetë Kryeministri ynë e shpalli me bujë të madhe se këtë koncesion do ta merrte një kompani kineze në kuadrin e bashkëpunimit 16 + 1. Më pas nuk ndodhi kështu. Pse? Qeveria shqiptare nuk ka bërë për opinionin tonë publik asnjë transparencë lidhur me arsyet e këtij dështimi. Po hipoteza më e besueshme është se projekti ishte i hartuar keq dhe i negociuar keq nga pala shqiptare. Unë kam kuptuar edhe së qeveria shqiptare nuk ndërmori masat e nevojshme ligjore për t’u dhënë garanci investitorëve kinezë, që u ofruan. Ky është vetëm një shembull, por mjaft domethënës, që tregon se eficienca e Shqipërisë për të përfituar nga këto oportunitete është ende shumë e ulët.

Dëgjoj të flitet, madje edhe në media ndonjëherë, lidhur me rrezikun për rritjen e influencës kineze nëpërmjet investimeve, gjë që ka sjellë hezitimin e Shqipërisë ndaj këtij bashkëpunimi. Bartësit e këtyre opinioneve duan të thonë kështu se investimet kineze janë të padëshiruara nga Bashkimi Europian.

Së pari, unë do të thosha se arsyet e vërteta, thelbësore, që e kanë penguar Shqipërinë në këtë bashkëpunim janë vetëm ato që përmenda më sipër. Të them të drejtën, në qëndrimet e Kryeministrit Rama dhe të qeverisë që ai drejton ndaj bashkëpunimit me Kinën unë nuk kam vënë re ndonjë hezitim të lidhur me strategjitë europiane të Shqipërisë. Rreziku për rikthimin e influencës kineze në Shqipëri përmendet nga zyrtarë të ndryshëm të qeverisë Rama vetëm nën zë dhe ka për qëllim të fshehë paaftësinë e qeverisë sonë për të qenë dinamike dhe eficiente në këtë bashkëpunim. Sepse ky rrezik nuk ekziston. Shumica dërrmuese e 16 vendeve në fjalë, (11 të tilla) janë tashmë anëtare të Bashkimit Eurpoian. Të tjerët janë pa mëdyshje vende kandidate për t’u integruar në Bashkimin Europian. Brukseli nuk sheh ndonjë qëllim të fshehtë politik nga ana e Kinës për të vendosur influencë mbi kontinentin tonë të bashkuar. Kjo është e qartë.

Kina është sot në një fazë intensive të zhvillimit të saj ekonomik, kur është në gjendje të eksportojë drejt Europës jo vetëm mallrat e prodhuara me kosto të ulët, por edhe kapitale të mëdha financiare. Ndërmarrjet e saj janë fuqizuar për të dalë si konkurrente në tregun ndërkombëtar. Europa e Bashkuar, përfshirë këtu edhe Gjermaninë dhe Francën, sheh në këtë realitet një interes të përbashkët dhe e ka hapur ekonominë e saj ndaj investimeve kineze. As kinezët nuk kanë ndonjë kompleks ideologjik e as euopianët. Dhe kjo është gjë shumë e mirë.

Edhe në ekonominë shqiptare, investimet kineze kanë tashmë realisht një peshë të madhe. Po përmend vetëm dy shembuj: Bankers Petroleum dhe Aeroportin e Rinasit. Të dyja këto kompani bashkë bëjnë më shumë se 500 milionë euro të investuara vitet e fundit. Dhe të dyja këto kompani veprojnë në sektorë strategjikë për vendin tonë. Bankers në fushën e hidrokarbureve me shfrytëzimin e burimeve të naftës në zonën e Patos – Marinzës dhe Aeroporti i Rinasit, që është i vetmi aeroport ndërkombëtar i Shqipërisë. Bankers është kompania më e madhe që vepron në ekonominë shqiptare, me një peshë të ndjeshme drejtpërdrejt në PIB e Shqipërisë. Por të dyja këto kompani janë blerë nga investitorët kinezë te të huajt. Bankers kishte pronarë kanadezë dhe Aeroporti kishte pronarë gjermanë. Nuk kemi ende asnjë histori suksesi me kinezët, në origjinë të së cilës të jetë qeveria shqiptare.

Kryemadhi: “Ky vendim antikombëtar do ketë kurban! Asgjë nuk e shpëton Edi Ramën”

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi ka reaguar sërish sot përmes rrjeteve sociale, duke shpjeguar përse heshti kryeministri Rama sipas saj gjatë seancës plenare maratonë të enjten, e cila vulosi me 75 vota të shumicës shembjen e Teatrit Kombëtar.

“Heshti sepse më mirë se të gjithë kukullat e tij ai e di se ky vendim antikombëtar do të ketë kurbanin e tij një ditë”, arsyeton kryetarja e LSI.

 

Postimi i plotë i Monika Kryemadhit:

Edi Rama heshti dje përgjatë 12 orëve të seancës në parlament. Heshti sepse frika për vendimin e prishjes së teatrit është më e fortë se dëshira për t’ju kundërvënë opozitës. Heshti sepse më mirë se të gjithë kukullat e tij ai e di se ky vendim antikombëtar do të ketë kurbanin e tij një ditë.

Dhe ai që ka bërë kurban shokë e bashkëpunëtorë i trembet më shumë se të gjithë forcës së ligjit, që dje e sot mungoi, por një ditë do të rëndojë mbi të gjjthë ata që me votën e tyre shkatërruan njërën nga pak vlerat e kulturës dhe qytetarisë që kanë mbetur në Tiranë.

Edi rama heshti dje në parlament me shpresën se nuk do të regjistrohet në procesverbalet e parlamentit si njeriu që ideoi dhe zbatoi shkatërrimin e Teatrit Kombëtar, duke harruar se sado të fshihet pas gishtit, sot të gjjthë shqiptarët e kanë të qartë se përgjegjësia është vetëm e tij.

Sikunder është e qarte se qytetarët do t’a mbrojnë teatrin me çdo kusht, me çdo formë e me çdo mënyrë.

Asgjë nuk e shpëton Edi Ramën nga përgjegjësia për shkatërrimin e teatrit, sikundër asnjë forcë shtetërore, policore apo fadrome nuk do mund të prishë Teatrin Kombëtar!

Manjani: “Tani çdo gjë varet nga ne! Ose të largojmë arrogantin, ose arroganti do na largojë ne të gjithëve! Një e nga një…”

Ish ministri Ylli Manjani, ka reaguar pas votimit të mbrëmjes së të enjtes në Kuvend për ligjin që i hap rrugë shembjes së godinës së Teatrit për të ndërtuar aty një të ri.

Në një postim në rrjetet sociale, Manjani reagon ashpër ndaj të gjithë ish kolegëve që votuan atë ligj, teksa bën thirrje:

 

“Tani çdo gjë varet nga ne! Ose të largojmë arrogantin, ose arroganti do na largojë ne të gjithëve! Një e nga një…”

Post votim…
———-
Uroj me gjithë shpirt që një ditë ky palaço Kryeministër të detyrohet ta lajë këtë pisllëk që po bën me arrogancë!!!

Uroj që të detyrohet ta paguajë këtë faturë anti-shtet, anti-histori, anti-ekonomi, anti-shoqëri e anti-demokraci që po i vendos Shqipërisë e Shqiptarëve!

Të gjithë ata që në emër të popullit sot, vendosën të shkatërrojnë pasurinë dhe trashëgiminë kulturore të tij (popullit), pranuan që janë letër higjienike e Kryeshefit tē tyre!

Nga pisat vetëm pisllëqe dalin!

Tani çdo gjë varet nga ne! Ose të largojmë arrogantin, ose arroganti do na largojë ne të gjithëve! Një e nga një…

Çipi: Faleminderit Pandeli Majko! Të paktën ti nuk u bëre viç për lëkurë!

Ministri per Diasporen, Pandeli Majko ishte i vetmi nga kabineti Rama qe nuk mori pjese ne votim dje per projektligjin që i hap rrugë nisjes së negociatave me kompaninë private “Fusha Shpk”. Me miratimin e kësaj nisme të qeverisë do të nisë më pas dhe prishja e godinës së Teatrit Kombëtar.

Qendrimi i Majkos eshte pershendetur nga regjisori Kastriot Çipi, i cili me nje shenim ne faqen e tij ne Facebook e ka falenderuar publikisht.

“Faleminderit Pandeli Majko! Të paktën ti nuk u bëre viç për lëkurë! Të presim në sheshin e Teatrit, në sheshin Demokracia!”- shkruan Çipi.

“Panorama” raporton se ministri për Diasporën, Pandeli Majko, gjatë seancës ka pasur një debat me Kryeministrin Rama. Para nisjes së votimit, Rama është filmuar teksa debaton me Pandeli Majkon.

Sipas deputetëve të pranishëm në sallë, të cilët kanë dëgjuar debatin, Rama i është drejtuar Majkos me tone të larta: “Nëse s”do votosh, ik në shtëpi. Mua mos më bëj numra”. Pas këtij debati, i cili është filmuar nga kamerat, Pandeli Majko është parë i nervozuar. Pasi ka vënë telefonin në vesh, është larguar nga salla, ndërkohë që Rama e ka shoqëruar largimin e tij me një gjest.

Berisha-Kryemadhi diskutojnë djegien e mandateve parlamentare

Ish-kryeministri Sali Berisha dhe kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi duket se ndajne te njejtin mendim, teksa pranojne se qendrimi ne sallen e Kuvendit, nuk ka kuptim, pasi nuk jane aty per foto. Se paku keshtu mesohet te jene shprehur ne nje bisede te bere mes tyre.

Pas ndërprerjes së seancës plenare, të dy janë dëgjuar të flasin me njeri-tjetrin për djegien e mandateve parlamentare nga opozita, raporton “PANORAMA”.

 

Biseda

Berisha: Unë i kërkova fjalën dhe ata s’ma dhanë. Nuk ka kuptim qëndrimi ynë ne salle, ne s’jemi atje per foto.

Kryemadhi: Po drejt djegies së mandateve po shkojmë…

Berisha: Po po, drejt asaj rruge po shkojmë.

4ad988a2-10f7-4de5-9856-f5a2ed85c245

“Beteja” për Teatrin/ Basha, Berisha e Kryemadhi ‘kokë më kokë’ jashtë Kuvendit

Nderkohe qe Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruci nderpreu punimet e seances se sotme, deri sa te zbardhen pyetjet e opozites drejtuar ministres Kumbaro per te hedhur drite mbi projektligjin per Teatrin, qe ata e cilesojne nje vjedhje te hapur, kreu i PD-se, Basha eshte fotografuar teksa le Kuvendin se bashku me kryetaren e LSI-se, Monika Kryemadhi.

Pas deklarates se bere per mediat, atyre u eshte bashkuar edhe ish kryeministr Berisha dhe te tre jane fotograguar duke biseduar.

basha kryemadhi berisha

 

Regjisori, letër Majkos që refuzoi Ramën dy herë: Dil sot kundër kryetarit dhe mbro Teatrin

Kastriot Çipi

Pandeli Majko i zmbrapsi dy herë tentativat e Edi Ramës, një herë si ministër Kulture dhe herës tjetër si kryetari i Bashkisë së Tiranës, për të shembur Teatrin Kombëtar. Sot, kur pritet të vendoset përfundimisht fati i asaj godine, duke e ligjëruar në Parlament përmes votimit të një projektligji të posaçëm që i kalon truallin publik privatit, Majko hesht.

Përmes një letre të hapur, regjisori Kastriot Çipi i drejtohet, jo vetëm ishKryeministrit, por edhe ishstudentit të dhjetorit, që ishte me të në të njëjtën sallë, kundër partisë-shtet. Çipi i kujton Majkos ato kohë, 28 vjet më parë, ëndrrat për të cilat luftuan të gjithë së bashku dhe dy rastet kur ai mbrojti godinën e Teatrit Kombëtar.

Sot, Majko ka pushtetin e kartonit. “E vetmja gjë që keni në dorë ju dhe kolegët tuaj deputetë socialistë është të bashkoheni me qytetarët, nëse nuk doni të ndëshkoheni bashkë me sistemin që keni ngritur!”, u bën thirrje Çipi.

NGA KASTRIOT ÇIPI

ÇFARËDO SISTEMI TË SHPIKNI PA NE, DO TË SHEMBET!

I nderuar z. Majko

Ju sot do të votoni për të miratuar një projektligj antikushtetues, që pa mëdyshje do ta quaja taleban, sepse është talebanizëm të shkatërrosh monumente të trashëgimisë kulturore dhe historike.

Ju kujtohen pamjet e Palmirës nën predhat e artilerisë talebane? E pra, një pamje të ngjashme do t’i ofroni botës me shembjen e mureve të teatrit më të vjetër shqiptar, të vetmes ndërtesë të arkitekturës postfuturiste në Shqipëri (lexoni Rubens Shimën e Artan Raçën), shtëpisë ku lindën institucionet më të rëndësishme të artit dhe shkencës shqiptare (lexoni Aurel Plasarin).

Shkurt, ju sot jeni para zgjedhjes së detyruar: Të vini Shqipërinë mbi partinë! Z. Majko, unë dhe ju jemi e njëjta gjeneratë. Pasditen e 11 dhjetorit 1990 ne ishim bashkë në dhomën e televizorit të ndërtesës nr. 13, të Qytetit Studenti. Ne ishim atje sepse ne zgjodhëm të donim Shqipërinë më shumë se sa partinë.

Ne ishim atje ngaqë besonim se roli udhëheqës i partisë-shtet ishte diametralisht i kundërt me interesin kombëtar. Atë ditë ne nuk ishim vetëm kundër partisë, por edhe kundër ligjit, madje edhe kundër Kushtetutës në fuqi. Për Kodin e atëhershëm Penal, ajo që po bënim ne ishte më e pakta “agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor”, një vepër penale për të cilën shumë shqiptarë ishin dërguar para togës së pushkatimit. Por ne e dinim, edhe se me ne ishte i gjithë populli shqiptar, i cili ndjehej i tradhtuar nga partia dhe udhëheqësi. Kurrë, deri 10 vjet më parë, kur u masakrua Kushtetuta e brishtë e vitit 1998, nuk e kisha menduar se mund të vinte kjo ditë.

Shqipëria është sot pa Gjykatë Kushtetuese, Kuvendi kontrollohet nga një parti e vetme dhe partia kontrollohet nga një njeri i vetëm: Udhëheqësi! A kishit menduar ju në 11 dhjetor 1990 se 28 vjet më pas do të gjendeshim në të njëjtën situatë? Unë jo. Unë nuk u habita në mars 2016, kur pyetjes së Ben Blushit “Shqipëria apo partia?”, Taulant Balla iu përgjigj pa iu skuqur faqja, “Partia!”. Por u habita shumë me deklaratën tuaj, që vinte shenjë barazimi mes Shqipërisë dhe partisë!

Nga Taulant Balla pritet të recitojë edhe “Kur themi partia nënkuptojmë Edi dhe kur themi Edi nënkuptojmë partia”, por nga ju priten të tjera qëndrime, së paku kur shtrohen çështje si kjo e sotmja. I nderuar z. Majko, unë shpresoj dhe dua të besoj se te ju nuk ka vdekur studenti i Dhjetorit ’90. Në karrierën tuaj të gjatë politike spikatin dy mandate kryeministrore, ndonëse të dy bashkë kanë zgjatur vetëm një vit e gjysmë.

Ju u bëtë Kryeministër për herë të parë në tetor 1998, kur vendi ishte ende në tym e flakë dhe një zjarr edhe më i madh kishte nisur të digjte Kosovën. E megjithatë, vetëm një muaj pasi morët detyrën, ju gjetët kohën të prisni një përfaqësi artistësh të Teatrit Kombëtar, që vinin të ankoheshin për abuzimet e ministrit të Kulturës, Kryeministrit aktual. Ju u bëtë me artistët dhe dolët kundër ministrit tuaj të Kulturës.

Ju urdhëruat hapjen e sallës së TK-së, të mbyllur për herë të parë në historinë e tij, me urdhër të ministrit Rama. Në të parën vizitë jashtë vendit si Kryeministër, ju i kërkuat homologut grek ndihmë për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar dhe në sajën tuaj, Greqia dhuroi 2.5 milionë euro për këtë qëllim.

Ju kërkuat gjithashtu një studim për mundësitë dhe koston e rindërtimit të TK-së, që eventualisht doli se ishte vetëm 1 milion dollarë me kursin e kohës. Jam i bindur se, nëse nuk do t’ju kishin rrëzuar lojërat politike brenda PS-së, jo vetëm do të ishte rindërtuar Teatri Kombëtar, por do të kishte nisur edhe ndërtimi i teatrit të ri.

Rasti e solli që ju të riktheheshit në postin e Kryeministrit në shkurt 2002, kur Teatri Kombëtar ishte sërish në krizë dhe shkaktari i krizës ishte po Edi Rama, tashmë kryebashkiak i Tiranës. Ishte propozuar, njësoj si tani, të shembej TK (TKE nuk ishte krijuar akoma) dhe trualli t’i jepej një ndërtuesi privat, që do të ndërtonte teatrin, bashkë me një kullë. Njësoj si tani, nuk kishte asnjë ekspertizë zyrtare që provonte rrezikun e zjarrit apo shembjes.

Njësoj si tani, artistë e qytetarë i kishin drejtuar peticione krerëve më të lartë të shtetit. Por, në ndryshim të madh nga tani, artistëve dhe qytetarëve iu bashkuan edhe 65 deputetë, të majtë e të djathtë, që vunë Shqipërinë mbi partinë. Dhe ishit ju, si Kryeministër, që i thatë JO talebanizmit.

Në debatin e zhvilluar në sallën e TK-së, nën drejtimin e gazetarit Artur Çani, në prill të atij viti, zëdhënësi juaj Sokol Gjok, tha se ju ishit për ndërtim dhe jo shkatërrim dhe se qeveria juaj do të mbështeste rindërtimin e teatrit të vjetër dhe ndërtimin e teatrit të ri diku tjetër. Ndërsa unë ju shkruaj këtë letër nga qendra historike e Vrocllavit, në mes të ndërtesave shekullore të ndërtuara nga gjermanët, të cilat polakët i ruajnë si sytë e ballit, në Tiranën tonë ka rënë tërmet.

Janë dëmtuar muret e Ministrisë së Bujqësisë dhe Kryesisë së Kuvendit, por nga muret e pamirëmbajtura të Teatrit Kombëtar nuk ka rënë asnjë copë. Zoti apo Natyra ju ka dërguar një kumt të koduar, lehtësisht të deshifrueshëm: Mos! Mos e ngrini dorën për t’i hapur rrugën talebanizmit në një vend europian! Mos e ngrini dorën për të ligjëruar vjedhjen e pronës publike dhe shkeljen e Kushtetutës! Tregojini shqiptarëve se në grupin tuaj parlamentar kanë mbetur qytetarë, nga ata që e duan Shqipërinë më shumë se partinë, ose së paku, e duan partinë më shumë se udhëheqësin!

I nderuar bashkëstudent i Dhjetorit ’90, Teatri Kombëtar dhe “vëllai” i tij i vogël Eksperimental nuk do të shemben. Sheshi i Teatrit prej muajsh është bërë zgjatim i sheshit “Demokracia” në Qytetin Studenti.

Aty pushteti i udhëheqësit nuk mbërrin. Duke marrë nën kontroll atë shesh, qytetarët kanë marrë nën kontroll demokracinë. Ata po këndojnë në kor vargjet e Leonard Cohen “Çfarëdo sistemi të shpikni pa ne, do të shembet!”.

E vetmja gjë që keni në dorë ju dhe kolegët tuaj deputetë socialistë është të bashkoheni me qytetarët, nëse nuk doni të ndëshkoheni bashkë me sistemin që keni ngritur!

Artan Fuga dhe Mark Marku letër për Teatrin: Pse fatet e kombit janë seriozisht të rrezikuara

Filozofi Artan Fuga, publicisti dhe kritiku Mark Marku, janë bërë bashkë në një letër të hapur, jo drejtuar krerëve të shtetit, por opinionit publik, që të reagojë ndaj çështjes së Teatrit Kombëtar. “Drama e Teatrit Kombëtar, akti i fundit i së cilës po luhet në këto ditë vere, po na shfaq me tërë dramaticitetin e vet degradimin e tejskajshëm të demokracisë shqiptare, të qeverisjes dhe të shtetit ligjor në Shqipëri.

 

Ky është shqetësimi ynë dhe për këtë u drejtohemi jo vetëm atyre që ndajnë me ne këtë shqetësim, por edhe qytetarëve të paanshëm dhe të painteresuar në çështjen politike që e përfytyrojnë dramën që po ndodh thjesht si shembjen e një godine ‘të vjetër’ dhe ndërtimin e një godine ‘të re’”, shprehen ata, duke u përpjekur të ndërgjegjësojnë këtë fashë njerëzish asnjanës për shkeljet ligjore që po bëhen në emër të së resë, duke shkelur mbi kujtesën kombëtare.

ARTAN FUGA, MARK MARKU

Me një ndjenjë dhe mendim shumë të përgjegjshëm si qytetarë të këtij vendi, por edhe si intelektualë, universitarë, kërkues shkencorë dhe të angazhuar në trajtimin në media të problemeve që kalon vendi, i drejtohemi opinionit publik me shqetësim të veçantë, duke marrë shkas veçanërisht nga projektligji i posaçëm që po kërkohet të kalohet në Kuvend në mënyrë arbitrare dhe me dhunën e votave të dirigjuara me disiplinë kazerme. Ky projektligj që vjen me arrogancë për votim në Kuvend shkatërron ndërtesën e Teatrit Kombëtar, pavarësisht vlerave të saj historike me shumë përmasa, i jep goditje përfundimtare qendrës historike të qytetit të Tiranës, si edhe tjetërson për interesa mirfilltazi private pasurinë tonë publike si qytetarë.

Jo më kot ky reagim nuk i drejtohet drejtpërdrejt as Kryeministrit Edi Rama, as ministres Mirela Kumbaro, as kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, por në radhë të parë bashkësisë të qytetarëve të kryeqytetit, opinionit publik të vendit si edhe bashkësisë të artistëve, intelektualëve, gazetarëve dhe të gjithë punëtorëve të mendjes dhe të shpirtit të vendit.

Ata kanë vendosur ta shembin Teatrin Kombëtar dhe kanë futur në procedurë të përshpejtuar një ligj absurd që i jep leje nominale kompanisë private të përzgjedhur nga ata vetë të fusë buldozerët në institucionin kryesor teatror të vendit dhe ta shndërrojnë atë në shesh ndërtimi për kulla.

Ne nuk bëjmë më pjesë te ata njerëz që ende besojnë si deri tani që pushtetarët të tërhiqen prej reagimit që mijëra qytetarë dhe autoritete të rëndësishme të jetës kulturore apo publike të vendit kanë shfaqur lidhur me shembjen e Teatrit Kombëtar apo prej debatit përplot argumente dhe ide që ka gjeneruar ky reagim i madh kolektiv dhe me shumë gjasa, Parlamenti nisur nga forca e kartonëve të urdhëruar, do ta miratojë atë ligj dhe shumë shpejt qytetarët shqiptarë do të shohin në vend të teatrit tym dhe rrënoja. Po, po, tym dhe rrënoja.

Shqiptarët duhet t’i fiksojnë mirë dhe gjatë këto pamje sepse ato janë pasoja të drejtpërdrejta të papërgjegjshmërisë, pangopshmërisë dhe arrogancës së një pushteti që ka dalë prej kohësh nga binarët e kontrollit qytetar, ligjshmërisë dhe kujdesit për vlerat e trashëgimisë kulturore që na kanë ndërtuar si komb.

Kjo letër u drejtohet jo vetëm atyre që u dhimbset Teatri Kombëtar me godinën e tij, por kujtdo tjetër që mendon sadopak për fatet e demokracisë dhe shtetit ligjor në Shqipëri. Sepse duke marrë vendimin për shembjen e Teatrit, deputetët do të firmosin njëherësh rrënimin e vetë Kuvendit të Shqipërisë, sepse për herë të parë në historinë e tij ky Kuvend do të kalonte një ligj të adresuar për një subjekt privat. Për herë të parë ky Kuvend do të miratonte një ligj që shkel të drejtën e konkurrencës.

Është mëse e dukshme se drama e Teatrit Kombëtar, akti i fundit i së cilës po luhet në këto ditë vere, po na shfaq me tërë dramaticitetin e vet degradimin e tejskajshëm të demokracisë shqiptare, të qeverisjes dhe të shtetit ligjor në Shqipëri. Ky është shqetësimi ynë dhe për këtë u drejtohemi jo vetëm atyre që ndajnë me ne këtë shqetësim, por edhe qytetarëve të paanshëm dhe të painteresuar në çështjen politike që e përfytyrojnë dramën që po ndodh thjesht si shembjen e një godine “të vjetër” dhe ndërtimin e një godine “të re”.

Rasti i shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar në vetvete është një rast i pashoq i asaj se si pushteti në Shqipëri degradon deri në atë pikë sa humb vetë arsyen e ekzistencës së tij. Ky degradim është shumëpërmasor dhe i rëndë. Mirela Kumbaro, në mënyrë të papërgjegjshme, bashkë me drejtuesit e Teatrit Kombëtar, e ka lënë godinën e këtij teatri pa asnjë shërbim duke çuar qëllimisht në degradimin e tij. Kush është përgjegjës për rrënimin e kësaj godine deri në atë pikë ku na thonë se është katandisur Teatri? Natyrisht e tillë është Ministria e Kulturës që drejton sot Mirela Kumbaro dhe për të qenë korrektë, ajo së bashku me ministrat paraardhës të saj. Sipas Mirela Kumbaros, meqenëse godina është në kushte jo të mira ajo duhet shembur! Mirela Kumbaro dhe Kryeministri Edi Rama në mënyrën më paradoksale kërkojnë pikërisht shembjen e asaj godine që ndodhet në zonën historike të qytetit, e cila është drejtpërdrejt për shkak të detyrës nën mbrojtjen e tyre. Dhe kjo ndodh kur, mu përballë Teatrit, me shumë këmbëngulje zyrtarët e mësipërm mbrojtën me përkushtim një bunker të mjerë dhe të shëmtuar si “pjesë e trashëgimisë kulturore të qytetit”. “Teatri duhet shembur”. “Teatri duhet shembur se është i degraduar” – na thuhet, – por Piramida që është edhe më e degraduar, u dashka rikonstruktuar – propagandon burokracia e pashpirt. Pa asnjë koherencë sikurse do ta kishte dashur një politikë e mirëfilltë dhe e urtë publike, ajo shpall cinikisht projektin për shembjen e Teatrit dhe dhënien për ndërtim të territorit të tij të një subjekti privat.

Më pas, gjendja rëndohet me natyrën e projektligjit, me futjen në lojë të kryetarit të Bashkisë të Tiranës, Erion Veliaj, i cili kryen njëherësh disa shkelje ligjore: bën kambizmin e interesave meskine për një institucion që është jashtë juridiksionit të vet, dhunon dhe fyen artistët që janë kundër tij, hyn në mënyrë të paligjshme në komisionin përkatës në Kuvend duke prishur mbledhjet e komisioneve parlamentare e kështu me radhë.

Gjithë kjo vazhdë shkeljesh ligjore e bën çështjen e Teatrit provë faktike të një degradimi njëherësh kulturor, kushtetues, politik. Edhe pse mjaft domethënëse, drama e Teatrit është vetëm një pjesë e arrogancës së shfaqur nga pushteti. Jo më larg se një vit më parë, të njëjtët që sot ngrenë zërin për Teatrin, ngrinin tonet të shqetësuar për rrezikun e kanabizimit të Shqipërisë. Edhe atëherë si sot, pushteti jo vetëm që e mohoi problemin, por edhe i akuzoi ata që shqetësoheshin për fenomenin e kanabizimit sikur këta i donin të keqen Shqipërisë. Sot shqiptarët po i shohin pasojat e kanabizimit të marrë në mbrojtje nga qeveria jo vetëm me rritjen e krimit dhe shkatërrimin e ekonomisë së vendit, por edhe me refuzimin nga ana e BE-së të marrjes së vendimit për hapjen e negociatave.

Rasti i Teatrit Kombëtar është vetëm një nga shembujt e një liste të gjatë të përfshirjes të shtetit në akte për interesa korruptive biznesesh private, që kanë sjellë dëme të pallogaritshme të pasurisë publike në Shqipëri ku spikat me vrazhdësinë e tij rasti i buxhetit prej 400 milionë eurosh të shpenzuara për firmat private të check up-it, shumë me të cilën do të mund të ishin ndërtuar sot të paktën nja dhjetë spitale moderne rajonale.

Rasti i Teatrit Kombëtar është domethënës edhe për degradimin e hapësirës publike dhe mediatike shqiptare. Aty pamë se si manipulohen mediat, si intimidohen kundërshtarët dhe oponentët e politikave qeveritare, se si damkosen dhe linçohen publikisht ata që nuk mendojnë si pushtetarët e këtij vendi. Në dritë të diellit po shohim se si mediat janë gjithnjë e më të kërcënuara, gjithnjë e më të mbyllura ndaj fjalës së lirë. Shikoni se si mediat i kanë nxjerrë jashtë axhendës mediatike të gjitha ngjarjet e sotme me rëndësi të dorës së parë për vendin me pretekstin e Kampionatit Botëror. Shumë pak lajme këto ditë, shumë pak debat, sikur Kampionati Botëror është më i rëndësishëm për shqiptarët se buka e gojës, puna e përditshme, siguria dhe rendi, integrimi në BE.

Nuk është i rastit synimi për të prishur ndërtesën historike të Teatrit Kombëtar. Se kush është dhe se çfarë nuk është historia e këtij vendi, këtë nuk e përcakton dot me shije personale as një Kryeministër e aq më pak vartësja e tij si ministre Kulture. Ka parë shumë ky vend fiasko nga ato ku vullneti i një pushtetari shpallej mesazh historik dhe gjithçka tjetër rrënohej me ekskavatorë, kazma dhe tritol. Nuk mund të prishet një monument historik dhe në shkëmbim të tij të paraqiten dhjetëra Turbina, Autokombajna, Autotraktorë. Historia nuk zëvendësohet me asgjë. Aq më pak të përdhoset historia e shkuar kur mbi të është ngritur shpirti kolektiv i kombit. Mirela Kumbaro duhet ta mësojë se gjithçka që vjen nga e kaluara si vlerë, është delikate. Prandaj, ajo kërkon konservim dhe ruajtje. Gjithçka tjetër me shembje, me rrënim dhe me zhdukje vlerash në emër të disa vlerave tjera sido që të paraqitet nuk ka emër tjetër përveçse vandalizëm.

E zhytur në një materializëm ekstrem, politika kulturore i ka vënë shkelmin mirëmbajtjes dhe ruajtjes e vlerësimit të të gjitha vlerave kombëtare shpirtërore e mendore. Krijimtaria shqiptare e filmit, operës, baletit, teatrit është në pikë të hallit sepse institucionet përkatëse janë nën kontroll politik. Kinemaja shqiptare si film dhe si park sallash, pothuaj inekzistente. Gërmimet arkeologjike dhe ruajtja e vlerave të arkeologjisë në qytetet e mëdha të vendit po njohin një krizë të pashoqe. Kudo makutëria e betonizimit po shkatërron qendrat e qyteteve. Madje, vala e betonizimit ka prekur edhe qendra të rëndësishme të kulturës antike mesdhetare si Butrinti apo Durrësi. Kalatë dhe qendrat e tjera historike të antikitetit menaxhohen me metoda mediokre dhe minimaliste. Kërkimi shkencor dhe bota universitare vazhdojnë prej vitesh të vuajnë nga mungesa e kuadrit ligjor dhe normativ. Piktorët, skulptorët, këngëtarët, aktorët, balerinët, autorët e librave, kërkuesit shkencorë, gazetarët vuajnë mungesat e një statusi social dhe profesional dinjitoz, janë të denigruar ekonomikisht, financiarisht, materialisht. Gjendja e edukimit artistik dhe kulturor të brezave të rinj në shkollat shqiptare është e pashpresë.

Ne nuk mund të jemi një shoqëri pa kujtesë, pa shpirt, pa kulturë, pa art, pa formim shkencor. Jo vetëm që Europa e Bashkuar kështu na përbuz e refuzon, por ne rrezikojmë të shpërbëhemi.

Zoti Kryeministër, zonja ministre, zoti kryetar i bashkisë dëgjojeni edhe ju thirrjen tonë, që i adresohet publikut të gjerë qytetar. Dëgjojeni sot sepse nesër do të jetë shumë vonë. Trarët, gurët, pluhuri, gërmadha e ndërtesës të Teatrit do të jetë fundi i një epoke. Plaga, që ajo do të shkaktojë mbi shoqërinë shqiptare, do të jetë vulosja e mosbesimit qytetar te politika. Do të jetë nga ato thyerje që nuk do të harrohet në dekada e shekuj. Për atë do të ketë përgjegjës dhe përgjegjësi historike, që nuk ka burrë e grua që e mban dot.

Për sa na takon ne, nëse nesër gërmadha e ndërtesës të Teatrit do të jetë fakt, atëherë do të bëhej përfundimisht e qartë se politika është e pazonja të qeverisë vendin, aq më pak kulturën dhe trashëgiminë kulturore dhe industrinë e krijimit shpirtëror dhe intelektual. Kjo do të na vërtetonte përfundimisht se fatet e kombit dhe të kulturës së tij janë seriozisht të rrezikuara. Sipas nesh, atëherë intelektualëve, artistëve, shkencëtarëve, dhe këtë e themi me shumë përgjegjësi, nuk do t’u mbetej asgjë tjetër për të bërë veçse të ndërmerrnin sa më shpejt, në mënyrë urgjente, vendosmërisht, hapin e fundit vendimtar. Të linin mënjanë për pak kohë penat, instrumentet muzikorë, skenat, katedrat, dhe të mobilizoheshin në një lëvizje masive politike me shtrat të thellë kulturor dhe shkencor, për të ndikuar drejtpërdrejt vullnetet elektorale të qytetarëve shqiptarë, duke ju përgjigjur kështu kërkesës së ngutshme dhe këmbëngulëse të dhjetëra mijëra qytetarëve shqiptarë që i ftojnë intelektualët, teknicienët dhe artistët e pavarur, në skenën politike, drejtpërdrejt si bartës të vullneteve politike, si intelektualë, artistë, universitarë, gazetarë, çka deri tani kanë dashur ta evitojnë, jo për parazitizëm politik, por vetëm për fisnikëri, duke respektuar ndarjen e fushave të veprimtarisë; dhe ky hap vendimtar vetëm për ta shëndoshur skenën politike shqiptare me prurje të fuqishme qytetare të pavarura, ashtu sikurse ka ndodhur dhe po ndodh në mjaft vende të tjera perëndimore.

Rasti i Teatrit Kombëtar është jo vetëm rrënimi i godinës së Teatrit por edhe rrënimi i shtetit, i ligjit, i demokracisë. Nëse i shmangemi reagimit për të sot, do të jetë vonë për gjithçka nesër.

Urojmë që thirrja jonë të dëgjohet!

PETICIONI – Nga Roza Anagnosti, Bujar Asqeriu e Gulielm Radoja, emrat e 125 artistëve që janë kundër shembjes së Teatrit

Kuvendi sot voton projekt-ligjin për Teatrin, që nëse kalon do ti hap rrugë shembjes së godinës ekzistuese.

Ky ligj është kundërshtuar nga artistë të shumtë, të cilët kanë firmosur dhe një peticion, për të penguar këtë ligj.

 

Regjisori Kastriot Çipi ka publikuar këtë listë në orët e fundit të ditës së djeshme ku dhe shkruan:

Në vend të natën e mirës, po ju përcjell listën e përditësuar të artistëve që i kanë thënë JO shembjes së TK e TKE. I kërkoj ndjesë kujtdo që kam harruar t’i shënoj emrin. Kanë qenë ditë të ngjeshura dhe vëmendja ime ka qenë e shpërndarë.

Me këtë rast ju kujtoj se lista mbetet e hapur, deri në tërheqjen e ligjit nga Qeveria. Thashë “ligjit” dhe jo “projekt-ligjit” sepse kam bindjen se projekt-ligji do të miratohet sot dhe do të mbetet në fuqi edhe pas kthimit nga Presidenti. Ky kryeministër nuk do të ndalet derisa artistët dhe qytetarët të pushtojnë dy teatrot kombëtare dhe të krijojnë rreth tyre një perimetër sigurie ndaj ruspave.

Lista e plotë e artistëve që janë kundër shembjes së Teatrit                  

1. Roza Anagnosti
2. Gulielm Radoja
3. Edmond Budina
4. Bujar Asqeriu
5. Naun Shundi
6. Vasjan Lami
7. Mehdi Malka
8. Stefan Çapaliku
9. Sesilia Plasari
10. Kastriot Çipi
11. Alert Çeloaliaj
12. Robert Budina
13. Besmir Bitraku
14. Taulanda Jupi
15. Romir Zalla
16. Bashkim Zahaj
17. Bujar Llapaj
18. Ilir Mërtiri
19. Besnik Doshlani
20. Alban Zadeja
21. Bujar Alimani
22. Anila Bisha
23. Leonard Hamitaj
24. Suela Bako
25. Anderson Gurra
26. Leka Doko
27. Gert Izeti
28. Avni Abazi
29. Fatbardh Marku
30. Ermela Teli
31. Ermira Hysaj Çerkozi
32. Klodian Hoxha
33. Ramiz Gjini
34. Rita Gjeka
35. Marsel Rupi
36. Esela Pysqyli
37. Gëzim Rudi
38. Gentian Zenelaj
39. Simon Shkreli
40. Ledian Gjeçi
41. Adnan Kastrati
42. Françeska Hysi
43. Alessia Xhemalaj
44. Florian Çanga
45. Alfred Zeneli
46. Redjan Mulla
47. Donard Hasani
48. Adriana Tolka
49. Anxhela Çikopano
50. Aldjon Matarangasi
51. Arbër Jakllari
52. Artur Selmani
53. Driada Dervishi
54. Elma Dorezi
55. Enerjeta Jani Fuga
56. Ervin Bejleri
57. Esmeralda Metka
58. Jorida Meta
59. Gladiola Harizaj
60. Rozina Prendi
61. Koloreto Cukali
62. Melisa Kodhelaj
63. Lida Radoja
64. Saimir Zeneli
65. Ermela Ruri
66. Blerim Gjoci
67. Klodjana Keco
68. Herion Mustafaraj
69. Endri Çela
70. Rudi Erebara
71. Ferdinand Hysi
72. Rajmonda Shundi
73. Besnik Bisha
74. Andi Begolli
75. Bora Kulla Beltoja
76. Artur Lena
77. Sulejman Rushiti
78. Kushtrim Bekteshi
79. Ylli Trajce
80. Mehdi Malka
81. Spartak Papadhimitri
82. Tefta Bejko
83. Bruna Borova
84. Dritan Sejamini
85. Adrian Zagori
86. Xhevdet Doda
87. Edmond Budina
88. Julia Ilirjani
89. Najada Elmazi
90. Dritan Biba
91. Xhuliano Brisku
92. Alban Qela
93. Mendim Murtezi
94. Erjeta Cufaj
95. Naser Rafuna
96. Kastriot Shehi
97. Sokol Angjeli
98. Xhemil Tagani
99. Florind Belliu
100. Marsela Lena
101. Sokol Cahani
102. Arben Shaka
103. Dajana Nenaj
104. Oriana Cama
105. Donald Shehu
106. Florian Kokona
107. Shpetim Emanuel Dajci
108. Xhovalin Gjoka
109. Mexhit Prenci
110. Ersila Rezhda
111. Muzafer Shkira
112. Neritan Licaj
113. Ismet Drishti
114. Agim Xhafka
115. Eldon Luarasi
116. Natasha Lako
117. Ermonela Alikaj
118. Ermira Gjata
119. Primo Shllaku
120. Eneida Topi
121. Laura Nezha
122. Zehrudin Dokle
123. Julian Deda
124. Mexhit Prenci
125. Gramos Gashi
126. Këtu mund të jetë emri yt!

Deputeti Gurakuqi kerkon qe Legjislativi te zgjidhe me se pari Çeshtjen e Gjykates Kushtetuese

“Mazhoranca parlamentare gjendet e drejtuar nga nje njeri qe ka zhveshur shpaten dhe po godet Republiken, po derrmon ndarjen e pushteteve brenda saj, parimet e shpjegueshmerise dhe pergjegjshmeriee ne qeverisje, tolerancen ne komunikim, etj”.

Ka reaguar në rrjetin social deputeti i PD Romeo Gurakuqi, duke kërkuar që Legjislativi të zgjidhë më së pari çështjen e Gjykatës Kushtetuese. Reagimi i tij i plotë si më poshtë:

 

“Serish i penguar per te komunikuar ne Parlamentin e Shqiperise:

Shumica parlamentare, mbasi u ka hequr prokuroreve dhe gjyqtareve autoritetin qe u jep kushtetuta, heq edhe te drejten e opozites per te propozuar nisma dhe te shoqerise civile per te protestuar ndaj dhunes se Kryeministrit dhe shpures se tij puthadore.

Prej dy ditesh u kam kerkuar drejtuesve te mazhorances vendosjen ne dispozicion:

1. Te dokumentacionit studimor mbi bazen e te cilit eshte pergatitur projektligji i posaçem per firmen “Fusha”, me objektiv shkaterrimin e Kompleksit “Skanderbeg”, ku gjendet edhe Teatri Kombetar;

2. Proces-verbalet e mbledhjes se Kabinetit Ministror, kur eshte marre vendimi per hartimin e projekt-ligjit.

Ne shtese te ketyre kerkesave, sot synoja t’i kerkoja perfaqesuesve te mazhorances, ndryshimin e kalendarit parlamentar per neser: zgjidhjen me ligj te posacem te boshllekut te krijuar ne vend me Gjykaten Kushtetuese, pa penguar procesin e vetingut per institucionet e tjera te drejtesise se re. Kjo mase emergjente do te vendoste ne kushte te barabarta te vleresimit te se drejtes, sjelljen institucionale dhe vendimarrjen politike te kraheve te spektrit parlamentar dhe do te shmangte konfliktin politik te paparimte.

Mirepo shoqeria gjendet para nje egersie te shfrenuar te Kryeministrit te vendit dhe sankyloteve rreth tij, te cilet po perdorin rreth 60 deputete socialiste te sjellun nga periferia e vendit, me formim te cunguar, te pandjeshem per sentimentet qytetare te Tiranes dhe per trashegimine kulturore te mbetur te kryeqendres se vendit. Provincializmi Socialist qe eshte ne fakt minoritar ne shoqeri, dikton sot politikat dhe vendimarrjet ne vend. Nje sistem i tere piramidal i shkembimit te interesave te nje grupi puthador dhe lepires deputetesh, i kapjes se kokes se tyre ne korrupsion, favore dhe trafikim, i perdorimit abuziv te paditurise se tyre sistematike mbi te vertetat historike dhe kulturore, mban peng Parlamentarizmin dhe Europianizimin institucional te vendit.

Mazhoranca parlamentare gjendet e drejtuar nga nje njeri qe ka zhveshur shpaten dhe po godet Republiken, po derrmon ndarjen e pushteteve brenda saj, parimet e shpjegueshmerise dhe pergjegjshmeriee ne qeverisje, tolerancen ne komunikim, etj.

Kjo eshte vetem shfaqja e jashtme qe mbart brenda interesat e korrupsionit dhe krimit te organizuar ku eshte ngerthyer e Kupola drejtuese e PS.”, përfundon deputeti Gurakuqi.

Zëri i Amerikës: Rivlerësimi, KPK e ONM zhgënjim për mungesën e kryeprokurores

Në Shqipëri mungesa e Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme Arta Marku në seancën dëgjimore të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, ishte momenti që la shenjë, më shumë se sa përfundimet e procesit të rivlerësimit. Si drejtuesja e trupës gjykuese Genta Tafa Bungo ashtu dhe përfaqësuesi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit Teo Jakobs u shprehën “të zhgënjyer”, ndërsa avoktja e saj mbrojtëse Lirime Cukaj, interesimit të anëtarëve të KPK ju përgjigj se kryeprokurorja “pa të arsyeshme që të ishte e përfaqësuar”.

Por për drejtuesen e trupës së KPK-ës shmangia e përballjes me institucionin e rivlerësimit “është mungesë prestigji”. Nga ana e tij Jakobs e cilësoi “një shenjë jo të mirë”, mungesën e zonjës Marku, duke shtuar se “lidershipi nuk përbëhet vetëm nga autoriteti por dhe nga llogaridhënia”, u shpreh përfaqësuesi i ONM-ës, ndërsa tha më tej se do të kishte patur dëshirë të zhvillonte “nje debat profesional mbi disa çështje ligjore” me të.

Debati që zoti Jakobs kishte preferuar të zhvillonte me zonjën Marku lidhet me sa duket me një çështje që ajo kishte patur kur ka qenë prokurore e Shkodrës, dhe ka kërkuar mbajtjen në burg të një personi të ndaluar sepse kishte drejtuar mjetin në gjendje të dehur. Një masë e cila është vlerësuar e tepruar nga zoti Jacobs e po ashtu e paarsyetuar, duke ju referuar dhe një vendimi të Kolegjit të Bashkuara të Gjykatës së Lartë sipas të cilit masa e arrestit urdhërohet kur vepra është e rrezikshme.

Kjo çështje por dhe diskutimi mbi mënyrën se si zonja Marku ka drejtuar Prokurorinë e Përgjithshme në këto afro 7 muaj në krye të saj, lanë në hije përfundimet pozitive mbi pasurinë dhe integritetin moral të saj. Kryeprokurorja e Përkohshme bëri disa lëvzje të drejtuesve të Prokurorive, të cilat provokuan dhe debate publike. Relatorja e KPK tha se Marku nuk kishte dhënë shpjegime të detajuara për komandimet e kryera prej saj, duke thënë vetëm se ishin realizuar në kuadër të riorganizimit të brendshëm, apo dhe nisur nga dosjet e mbuluara nga prokurorët, por sipas relatores ende nuk është miratuar asnjë procedurë lidhur me trasnferimet apo komandimet e prokurorëve.

Ndonëse Kryeprokurorja e Përkohshme me shumë gjasë do të rikonfirmohet nesër, komentet e anëtarëve të KPK dhe përfaqësuesit të ONM-ës, duket se lane një njollë mbi mënyrën e drejtimit nga ana e zonjës Marku.

Partia Demokratike, e cila kundërshtoi zgjedhjen e saj, duke e konsideruar të jashtëligjshme, u shpreh sot se zonja Marku “ka shkelur në mënyrë flagrante ligjin, duke bërë emërime e komandime të paligjshme të prokurorëve, duke emëruar e shkarkuar drejtues prokurorie, edhe pse neni 160, pika 2 e ligjit për statusin e magjistratit, ia ndalojnë shprehimisht këtë”, deklaroi deputeti Enkelejd Alibeaj. Sipas tij, rasti i zonjës Marku dëshmon se rivlerësimi “është një proces i korruptuar politikisht. Arta Marku, e deleguara e Edi Ramës në Krye të organit të prokurorisë, pritet të konfirmohet në detyrë, jo sepse përmbush kriteret e vendosura nga ligji, por se kriteret e kualifikimit që po aplikohen kanë si kusht kryesor se cili gjyqtar apo prokuror i shërben më shumë Edi Ramës dhe Qeverisë së tij të korruptuar”.

Alibeaj: Vettingu ra, me Arta Markun sot nuk e kaloi dot provën

“Organet e vetingut po zbatojnë standarde të dyfishta duke vënë në dyshim serioz besueshmërinë ndaj procesit, rasti i Arta Markut është prova e qartë për këtë”. Kështu tha deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj, në një deklaratë në seline e PD-së.

“Deri tani, kemi konstatuar aplikimin e standardeve të dyfishta nga organet e vettingut, në varësi të preferencave politike mbi gjyqtarë dhe prokurorë të caktuar, të cilët edhe pse në kushte të njëjta, fatin e kanë patur të ndryshëm. E gjitha kjo ka vënë në dyshim serioz besueshmërinë ndaj procesit, i cili po provon se nuk udhëhiqet nga ligji dhe se është një proces i korruptuar politikisht. Një provë e fortë mbi këtë u dha sot, ku radha për vetting i erdhi kamikazes së Edi Ramës në prokurori.

 

Arta Marku, e deleguara e Edi Ramës në Krye të organit të prokurorisë, pritet të konfirmohet në detyrë, jo sepse përmbush kriteret e vendosura nga ligji, por se kriteret e kualifikimit që po aplikohen kanë si kusht kryesor se cili gjyqtar apo prokuror i shërben më shumë Edi Ramës dhe Qeverisë së tij të korruptuar.

Sa më shumë t’i shërbesh Edi Ramës, aq më shumë rriten shanset për të kaluar me sukses vettingun. Ky është mesazhi që deri më sot ka dhënë ky proces. Është fakt i njohur botërisht që Arta Marku në 6 muaj në Krye të organit të prokurorisë, ka shkelur në mënyrë flagrante ligjin, duke bërë emërime e komandime të paligjshme të prokurorëve, duke emëruar e shkarkuar drejtues prokurorie, edhe pse neni 160, pika 2 e ligjit për statusin e magjistratit, ia ndalojnë shprehimisht këtë.

Vetë ajo ishte betuar përpara Komisionit të Ligjeve, ditën kur paraqiti kandidaturën, se nuk do të bëntë shkarkime dhe emërime, sepse ato ishin në kundërshtim me ligjin.

Shkelja e hapur e ligjit tregon jo vetëm mungesë respekti ndaj ligjit, por qartësisht mungesë të theksuar të integritetit moral e professional, kushte këto të domosdoshme për të kaluar me sukses vettingun.

Komisionet e vettingut kanë për detyrë të verifikojnë mënyrën e ushtrimit të funksioneve si Prokuror i Përgjithshëm nga Arta Marku, sepse këtë e detyron neni 42, pika 1, e ligjit për vettingun. Nuk e kanë bërë këtë, sepse nuk ia lejon Edi Rama.

Duke vepruar si prokurore politike, Arta Marku ka shkelur ligjin duke shndërruar organin e prokurorisë nën varësinë e Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme. Sot hetimet kanë për zot jo prokurorin, por Ministrin e Brendshëm. Edhe këtë paligjshmëri organet e vettingut kishin për detyrë ta verifikonin, por qartësisht mbyllën sytë për të mbrojtur emrëimin politik të Edi Ramës në krye të Prokurorisë.

Përfaqësuesit e ONM gjatë seancës së sotme ngritën edhe shqetësimin se Arta Marku gjatë ushtrimit të detyrës si prokurore, ka kërkuar mbajtjen në burg të qytetarëve, jashtë kritereve që parashikon ligji. Kjo tregon injorim të ligjit, por as këtë organet e vettingut nuk  kanë ndërmend ta shohin.

Mungesa e respektit ndaj ligjit tregohet edhe në rastin kur, edhe pse me detyrë prokurore, Arta Marku bën ndërtime pa leje, në shkleje të ligjeve në fuqi, për të cilat një qytetar i thjeshtë dënohet me burg. Një prokuror tjetër u shkarkua nga detyra për këtë motiv, ndërsa Arta Markun ky standard nuk zbatohet.

Ne kemi publikuar dokumenta tronditës, sesi Arta Marku, në cilësinë e Prokurorit në Shkodër, harroi në burg një qytetar për 2 muaj e 13 ditë, duke i hequr në këtë mënyrë lirinë, në mënyrë të paligjshme dhe të padrejtë.

Do të mjaftonte ky rast që Arta Marku të shkarkohej nga organet e vettingut, për shkak se në mënyrë të paligjshme dhe arbitrare ka cenuar rëndë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Ky është një fakt i njohur për Komisionin, sepse është fakt i njohur botërisht, dhe për pasojë nuk kanë nevojë për prova të mëtejshme.

Këto të dhëna dhe të tjera si këto, provojnë qartësisht se Arta Marku, jo vetëm nuk ka integritetin moral dhe profesionale për të qëndruar në detyrë, por ka cenuar rëndë besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë.

Nëse procesi i vettingut nuk do të ishte i korruptuar politikisht, sot Arta Marku do të ishte shkarkuar nga detyra.

Por përsa kohë ky proces diktohet nga Edi Rama e Fatmir Xhafaj, që e përdorin procesin për të shantazhuar prokurorë e gjyqtarë dhe për të shpërbylyer shërbëtorët e tyre në sistemin e drejtësisë, ne nuk kemi asnjë besim se Arta Marku do të marrë atë që meriton, sipas ligjit- shkarkimin nga detyra”, tha Alibeaj ne deklaraten e tij per mediat.

Basha për ambasadorët: Na thonë bashkohuni dhe puthuni me qeverinë e krimit!

Gjatë një takimi me të rinjtë, në përkujtim të 2 korrikut, ditës kur shqiptarët “çanë” ambasadat për tu larguar në Perëndim, kreu i opozitës Lulzim Basha thumboi edhe ambasadorët e huaj në Shqipëri për negociatat.

“Më vjen keq që edhe sot ka pasur investime Don Kishoteske, nga ndonjë i huaj, që është vegla e Ramës Problemi këtu nuk është komunikimi opozitë-qeveri, por qeverisë së lidhur me krimin. BE ka folur qartë, nuk e pranon mashtrimin, ai ka pasur edhe dëshmitarë të rremë që nuk kanë parë krimin, korrupsionin dhe drogën. Në Europë hyhet vetëm me të vërteta.

Nuk i ka mbyllur dyert konflikti politik, ata që thonë këtë janë mercenarë të Ramës. Ndërsa përsqatjet që ‘hajde puthuni’ janë anti-europiane, pasi demokracia europiane ka në themel antagonizmin. Si u shërbehet qytetarëve duke u bërë fresk apo duke u përballur? ‘Jo bashkëpunimi, jo puthuni, jo kërceni bashkë’, ne nuk bashkëpunojmë me qeverinë e krimit dhe drogës”, tha ai.

Sipas Bashës 2 korriku është një datë lirie, pasi është dita kur rinia shqiptare hodhi murin e izolimit, përmes ambasadave.

“Kanceri i komunizmit na kishte pushtuar në atë kohë. Pasaporta në atë kohë nuk jepej. Lëvizja edhe nga qyteti ishte e kontrolluar. Një vit para se të një vit para se të shembej sistemi u ekzekutua poeti Havzi Nela. Fatmir Xhafaj me shok i shkepnin pantallonat të rinjt, se i kishin pantallonat tub. Sot është dita t’u themi qindra mijërave të rinjve në atë kohë që shembën regjimin.

Sot është dita t’u themi faleminderit atyre që u ngritën për atë që ishte çarja e digës në 2 korrik dhe më pas shembja totale e murit. Po sot pse jemi të izoluar? Jemi të izoluar nga tregjet, nga zhvillimi teknologjik. Sot ministri i Brendshëm mbron vëllain e tij të dënuar për drogë. Apo edhe kryeministri që është i lidhur me drogën. Ku jemi sot? Sot ka edhe hashash. Ndaj mbushen ‘Toyota Yaris’ me euro. Ku shkojnë këto para? Do i pastrojnë. Ndaj shihni kulla gjithandej. Ndaj do merret teatri që të bëhet kulla. Moshapja e negociatave është shembull i izolimit”, tha Basha.

Prokurori i Apelit sot para Vetingut, deklaron 50 mijë USD të fituara nga bastet sportive

Luan Kaloçi, prokuror i Apelit të Tiranës prej vitit 2002, do të përballet ditën e sotme në seancë dëgjimore me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.

Trupa gjykuese që do të kryejë rivlerësimin e prokurorit Kaloçi përbëhet nga Xhensila Pine, Valbona Sanxhaktari dhe Etleda Çiftja.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të prokurorit Luan Kaloçi për vitet 2003-2017. [Kliko këtu për skedën në PDF].

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administratimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriatin i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.

Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se prokurori i Apelit, Luan Kaloçi zotëronte pasuri me vlerë 10 milionë lekë në vitin 2003-kur deklaroi pasurinë e tij për herë të parë. Sipas deklaratës së vitit 2003, prokurori Kaloçi zotëronte një apartament banimi në Tiranë të blerë në vitin 2000 për 4.2 milionë lekë si dhe një dyqan me vlerë 5.8 milionë lekë që ka si burim të deklaruar bastet sportive.

Në fund të vitit 2017, pasuria familjare e zotit Kaloçi është rritur me 2.4 herë me një vlerë totale prej 24.3 milionë lekësh. Pasuria e shtuar përbëhet nga një apartament i dytë me sipërfaqe 125 metra katrorë në Tiranë, i blerë me kredi për 55 mijë euro, një garazh me vlerë 12 mijë euro me burim kursimet familjare si dhe kursime në cash përgjatë viteve në vlerën e 4.5 milionë lekëve.

Të ardhurat familjare të Kaloçit për periudhën 2003-2017 kapin vlerën e 31.7 milionë lekëve dhe përbëhen në 85 për qind të tyre  nga paga e tij dhe e bashkëshortes. Të ardhurat nga qiratë zënë gjithashtu një zë të rëndësishëm me 14.7 për qind të të ardhurave totale.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin artimetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. Kontrolli aritmetik-logjik për 14 vite nuk ka rezultuar me probleme, por kjo analizë identifikoi një sërë “flamujsh të kuq” në rastin e prokurorit Kaloçi.

Njëri prej tyre është pronësia e një dyqani me sipërfaqe 86 metra katrorë në Tiranë, i blerë në vitin 2003 me burim të deklaruar fitimet në baste sportive. Të ardhurat e siguruara nga dhënia me qira e kësaj prone zënë më pas një përqindje të konsiderueshme të të ardhurave.

Një tjetër “flamur i kuq” i identifikuar është huamarrja prej 10 mijë dollarësh e përdorur në vitin 2009 si depozitë garancie për vizën amerikane të vajzës. Huaja, e cila është kthyer brenda të njëjtit vit është marrë pavarësisht se familja Kaloçi zotëronte 1.6 milionë lekë kursime akumulative në cash deri në vitin 2008.

Mbajtja e sasisë së konsiderueshme të kursimeve jashtë sistemit bankar është një tjetër çështje e evidentuar në rastin e zotit Kaloçi, i cili në fund të vitit 2017 rezulton të ketë akumuluar rreth 4.5 milionë lekë kursime.

Duke qënë se ky raport bazohet në të dhëna statistikore të analizuara nëpërmjet një databaze, ai nuk nxjerr përfundime mbi pasurinë e subjektit nëse ajo mbulohet me burime të ligjshme ose jo, por mëton të informojë publikun mbi pasurinë e deklaruar të zyrtarit publik nëpërmjet një formati të thjeshtë dhe të kuptueshëm grafik.

Deklarata e pasurisë për vitin 2003  

Deklarata e pasurisë për vitin 2004

Deklarata e pasurisë për vitin 2005  

Deklarata e pasurisë për vitin 2006  

Deklarata e pasurisë për vitin 2007

Deklarata e pasurisë për vitin 2008

Deklarata e pasurisë për vitin 2009

Deklarata e pasurisë për vitin 2010

Deklarata e pasurisë për vitin 2011

Deklarata e pasurisë për vitin 2012

Deklarata e pasurisë për vitin 2013  

Deklarata e pasurisë për vitin 2014

Deklarata e pasurisë për vitin 2015  

Deklarata e pasurisë për vitin 2016  

Deklarata e pasurisë për vitin 2017

Burimi: BIRN


Send this to a friend