Drejtuar Zt.Mark Rutte, kreut të Aleancës Euro-Atlantike
I nderuar Zt.Mark Rutte,
Jam një botuese dhe gazetare veterane që kam ndjekur zhvillimet në Ballkan prej 1992.
Po ju shkruaj për t’ju shprehur shqetësimin për situatën në Kosovë, ku opozita po kthehet në një pengesë për funksionimin e shtetit të së drejtës, dhe me obstruksionizëm po e bojkoton zgjedhjen e presidentit të Republikës, me qëllimin për ta çuar Kosovën brënda 15 muajsh në zgjedhjet e treta Parlamentare, kur populli i Kosovës ka shprehur qartë verdiktin se kush është fituesi dhe humbësi, aq më tepër kur në një sistem demokratik nuk ka humbës, pasi si pozita ashtu edhe opozita janë palë në funksionimin e shtetit dhe institucioneve.
Në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 populli i Kosovës ia dha votën:
VV 42.3% ( Albin Kurti me Guxo e aleatë)
PDK 20.95 % (Bedri Hamza)
LDK 18.17 % (Lumir Abdixhiku)
AAK. 7.06 % ( Ramush Haradinaj)
Në shkurti 2025 deri sa u shpallën zgjedhjet e tjera më 28 dhjetor 2025, opozita ishte kundër zgjedhjes për kryetare të Kuvendit të zonj. Albulena Haxhiu, një nga gratë më të votuara, e cila pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025 është kryetare e Kuvendit dhe presidente në detyrë. Pra opozita do të krijonte stuhi në gotë që çuan të zgjedhjet e dyta parlamentare, me qëllimin real për t’u kthyer në pushtet me çdo kusht.
Në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025 rezultatet ishin si më poshtë:
VV 51.10 % (Albin Kurti + Guxo me aleatë)
PDK 20.19 % ( Bedri Hamza)
LDK 13. 24% (Lumir Abdixhiku)
AAK 5.5 % ( Ramush Haradinaj)
Në gjithë historinë e zgjedhjeve që janë mbajtur në Kosovë prej 2001, asnjë forcë politike, përfshi edhe LDK kur drejtohej nga Ibrahim Rugova, nuk e kanë arritur rezultatin 51% sa VV plus Guxo me aleatë.
Me këtë rezultat shumica i formoi Legjislativin dhe Ekzekutivin.
Ka 66 vota nga 61 që i duhen për të votuar Presidentin e Kosovës, por nuk ka kuorumin prej 80 deputetësh si e kërkon Kushtetuta e vendit.
Me pretekstin e kuorimit, duke e bojkotuar atë, opozita kërkon ta çojë në zgjedhjet e treta Kosovën, duke shpresuar se populli i Kosovës do të jetë lodhur së votuari, kur vota e tij nuk merr vlerën kushtetuese që i takon.
Në kushtet kur shumicës i duhet kuorumi por nuk e arrin dot, kryeministri i Kosovës i shtriu dorën opozitës për kompromis duke i propozuar opsione bashkëqeverisëse.
LDK-së i ka ofruar dy opsione: 1. Vendin e Kryeparlamentarit dhe 2. Vendin e nënkryeministrit me 4 portofole ministrore, midis tyre edhe portofolin e ministrit të jashtëm;
ndërsa PDK-së i ofroi postin e Kryeparlamentarit.
Të dyja partitë kryesore të opozitës i hodhën poshtë këto propozime duke parë si zgjidhje zgjedhjet e treta në 15 muaj.
Atëherë kryeministri Kurti iu shtriu përsëri dorën krerëve të opozitës duke u kërkuar që, si kompromis, të propozonin nga tre kandidatë për presidentë, që të jenë figura unifikuese, përfaqësuese dhe konsensuale.
PDK nuk ka pranuar por ka kërkuar zgjedhje të reja, ndërsa LDK ka ofruar si opsion Vjosa Osmanin, ish presidenten e Kosovës, e cila kur shumica nuk e rizgjodhi si kandidate mbajti një qendrim konfliktual me kryeministrin e vendit, duke mos e përmbushur kështu formatin e një kandidati unifikues, përfaqësues dhe konsensual.
Kjo është situata. Nesër më 28 prill në orën 24:00 përfundon afati kushtetues dhe Kuvendi i Kosovës vetshpërndahet.
Opozita bojkoton se do pushtet me çdo kusht, ndërkohë që institucioni demokratik i zgjedhjeve në një sistem demokratik vihet në rrezik, pasi vota e sovranit e humb vlerën dhe rolin.
Kosova nuk ka arsye që të shkojë në zgjedhjet e treta, që do të riprodhojnë rishtas rezultate të afërta. Aq më tepër kur populli i Kosovës është shprehur qartë.
Po ashtu qeveria e Kosovës ka patur një performancë shumë ambicioze mandatin e parë.
Sipas WJP, bazuar në të dhënat e viteve 2024–2025, «Kosova renditet relativisht lart në rajon sa i përket shtetit të së drejtës, për sundimin e ligjit dhe sigurinë, pavarësisht përballjes me sfida sistemike. Kosova renditet e 58 nga 142 vende sipas World Justice Project.
Sipas Renditjes Rajonale (Evropa Lindore dhe Azia Qendrore) Kosova u rendit e 3-ta nga 15 vende në rajon, pas Gjeorgjisë dhe Malit të Zi, ndërsa në renditjen në Ballkanin Perëndimor : Kosova u rendit e para në vitet 2023/2024, përpara Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Bosnjës, duke e ruajtur statusin e lartë rajonal.»
Edhe sa i përket Sigurisë, Rendit dhe Ligji (Gallup 2024/2025) në renditjen globale «Kosova renditet fort lart për sigurinë, duke marrë 94 nga 100 pikë në Indeksin e Rendit dhe Ligjit 2024, duke e vendosur atë në vendin e 3-të në botë. Renditja Rajonale: Kosova u rendit e para në Evropë për sigurinë në vitin 2024, përpara Islandës, Norvegjisë dhe Austrisë. »
Rezultatet nga institucionet ndërkombëtare për arritjet në funksionimin e shtetit të së drejtës në Kosovë, edhe pse ka plot sfida përpara, shkojnë në përpjestim të drejtë me votën e Sovranit. Që do të thotë se Sovrani është koshient se për kë voton.
Pra Kosova, me këtë qeverisje bazuar në votën e lirë duhet të shkojë përpara e jo të kthehet pas, me zgjedhje të reja që janë në funksion të destabilitetit dhe mosfunksionimit të shtetit të së drejtës.
Opozita në Kosovë, në mënyrë implicite dhe eksplicite, ka në krahun e saj si aleat kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, kur dihet se Shqipëria megjithëse vend anëtar i NATO-s, ka një sistem hibrid, me skandale korrupsioni, dhe ku opozita me protesta kërkon dorëheqjen e pm, zëvendësuar me një qeveri teknike që vendi të shkojë në zgjedhje të reja e të ndershme.
A është në interesin e NATO-s që Kosova të kthehet një vend me sistem hibrid si Shqipëria, kur qeveria aktuale nuk ka asnjë tregues në regres.
Sikur mund ta dini, Edi Rama në takimin e Bordit të Paqes – Board of Peace – në Washington DC me Presidentin Trump e quajti Jack Smith, ish kryeprokurorin e Gjykatës Speciale të Hagës «sicario»?!
A mundet një kryeministër i një vendi anëtar të NATO-s të quajë «sicario», ish kryeprokurorin e një Gjykate që mbahet dhe funksionon me fondet e vendeve të BE-së dhe NATO-s.
Pa hyrë në materien e drejtësisë dhe duke i prezumuar të pafajshem të katër ish zyrtarët e shtetit të Kosovës, a mundet kryeministri i një vendi anëtar të NATO-s të ngrejë akuza dhe të ndërhyjë në një institucion drejtësie ngritur e mbështetur nga vendet anëtare të BE-së dhe NATO-s ?
Kryeministri Rama, që ka uzuarpuar të gjitha pushtetet, kërkon ta kthejë edhe Kosovën sikur Shqipërinë sepse kështu do të forconte pushtetin e tij të mbrapshtë.
Po a janë arroganca dhe apetitet e Edi Ramës të pranushme për Aleancën Euro-Atlantike e cila mbron parimet themelore të lirisë e vlerave universale të njeriut dhe po ashtu mbron sovranitetin dhe territorialitetin e shtetit të Kosovës?
Përse të shkohet në zgjedhje të treta, kur populli ka vendosur dhe kur zgjedhja e presidentit është vetëm çështje e vullnetit të mirë të opozitës e cila deri tani përmes obstruksionizmit si një grusht shteti po sulmon sistemin demokratik të Kosovës?
Një Kosovë jostabël e kërkon Serbia dhe kush është pas saj.
A ka NATO interes të tillë ta lejojë që Kosova të shkojë nëpër rotacione zgjedhjesh që nuk mund të zgjidhin ngërçin e Kushtetutës, kur shteti i së drejtës në Kosovë po përparon, që do të thotë stabilitet afatgjatë për rajonin.
Prandaj, Ju lutem si kreu i NATO-s të ndikoni që Kosova të vazhdojë rrugën e saj drejt integrimeve në BE dhe NATO.