VOAL

VOAL

Albana Vokshi kërkon paraqitjen në Komisionin Parlamentar të Valdrin Pjetrit, Kryeregjistrues i ZRPP bashkë me dokumentacionin që lidhet me Teatrin Kombëtar

July 10, 2018

Komentet

Diplomati, oligarku dhe agjenti i FBI: Amerikano-rusi del para gjyqit për sanksionet ndaj Deripaskës

Oligarku rus Oleg Deripaska, në qershor 2022, është sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara që nga viti 2018.

 

evropaelire.org

Mike Eckel

Kur një prej agjentëve më të lartë të Byrosë Federale amerikane të Hetimeve (FBI) u arrestua në janar të vitit 2023 dhe u akuzua se kishte punuar jashtëligjshëm për oligarkun e sanksionuar rus – Oleg Deripaska – komuniteti amerikan i sigurisë kombëtare mbeti i tronditur.

Charles McGonigal, tashmë në pension – i cili në pjesën e fundit të karrierës së tij hetonte spiunët dhe oligarkët rusë – më në fund pranoi fajësinë dhe në dhjetor u dënua me mbi katër vjet burg.

Ai nuk ishte i vetmi i përfshirë në çështjen Deripaska, sipas autoriteteve amerikane.

Pas më shumë se 16 muajsh shtyrjesh e vonesash, Sergei Shestakov, një ish-diplomat sovjetik dhe rus që u bë qytetar i natyralizuar amerikan dhe më vonë punoi si përkthyes i autorizuar në gjykatat federale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pritet të dalë para gjyqit më 17 qershor, i ngarkuar me akuza të ngjashme me ato me të cilat u përball McGonigal.

Ashtu si McGonigal, edhe Shestakov akuzohet se ka bashkëpunuar për t’i ndihmuar Deripaskës t’i shmangë sanksionet amerikane, të cilat ishin vendosur në vitin 2018, si dhe për komplot për shpëlarje parash. Ai gjithashtu akuzohet se ka gënjyer agjentët e FBI-së.

Shestakov u arrestua në të njëjtën kohë me McGonigalin.

Gjyqi dhe procesi paraprak gjyqësor nuk kanë marrë shumë vëmendje, kryesisht sepse Shestakov është më pak i njohur se McGonigal. Deri në pensionimin e tij në vitin 2018 nga zyra e FBI-së në Nju Jork, McGonigal ishte në pararojë të përpjekjeve të byrosë për t’i gjurmuar spiunët dhe oligarkët rusë – përfshirë edhe Deripaskën.

Në vitet ‘90, Vladimir Gusinsky ishte një nga oligarkët më me ndikim të Rusisë, kryesisht falë NTV-së – kanali i parë kombëtar i pavarur televiziv në Rusi.

Përveçse bashkëpunëtorë biznesi, Shestakov dhe McGonigal, së bashku me një rus tjetër, janë të lidhur me një tjetër ish-oligark rus, Vladimir Gusinsky, i cili për shumë vite kaloi pjesën më të madhe të kohës në një rezidencë luksoze në Kënektikët të SHBA-së.

Gusinsky nuk është përfshirë në çështjen penale ndaj Shestakovit dhe McGonigalit. Megjithatë, ai ka tërhequr vëmendjen e FBI-së, pasi agjentët e morën në pyetje dy herë gruan e tij tashmë të ndarë dhe punonjës të shtëpisë së tyre në Kënektikët për marrëdhënien e tij me ta. Shestakov e njoftoi Gusinskyn me McGonigalin dhe më pas Gusinesky u shoqërua me të dy.

Shestakov është deklaruar i pafajshëm për akuzat.

Magnatët e metaleve

Sipas dokumenteve të shumta në një gjykatë federale në Menheten, mbrojtja e Shestakovit mbështetet pjesërisht në pyetjen nëse puna që ai dhe McGonigal bënë ishte për të mirën e Deripaskës ose për konglomeratin e tij gjigand, EN+ Group, që kontrollon një nga kompanitë më të mëdha të aluminit në botë – Rusal.

Thelbësor për këtë mbrojtje është një punonjës i EN+ me emrin Yevgeny Fokin, të cilin FBI e akuzon si agjent të Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme të Rusisë (SVR).

Avokatja e Shestakovit, Rita Glavin, ka thënë në dokumente gjyqësore se Fokin mund të ofrojë prova që puna që Shestakov dhe McGonigal u punësuan të bënin ishte në emër të EN+ dhe përfshinte lobim për të ndihmuar kompanitë e Deripaskës – gjë që kryesisht lejohet sipas ligjeve në SHBA.

Glavin nuk ka komentuar për këtë.

“Pretendimi se ata po punonin për EN+ dhe jo për Deripaskën nuk ka kuptim. Në thelb, është një dallim pa ndryshim”, tha Casey Michel, autor i librit “Foreign Agents: Hoë American Lobbyists and Lawmakers Threaten Democracy Around the World”.

“Ata, sipas çdo indikacioni, po punonin për përfitimin e njërit prej oligarkëve më famëkeq që ka prodhuar ndonjëherë Rusia – një njeri që është pak më shumë se një përfaqësues i Kremlinit, duke përmbushur dëshirat e Moskës kudo dhe sido që të mundet”, shtoi ai.

Prokurorët kanë pohuar se Fokin ishte “bashkëkomplotues i paakuzuar” me Shestakovin dhe McGonigalin. FBI-ja e ka ndjekur, fotografuar dhe regjistruar fshehtazi që nga korriku 2019, sipas dokumenteve gjyqësore, dhe viza e tij për SHBA u anulua në vitin 2022 me kërkesë të FBI-së.

Charles McGonigal, ish-agjent i lartë i FBI-së, u deklarua fajtor në vitin 2023 për një akuzë të ngjashme me atë që tani përballet Sergei Shestaky

Charles McGonigal, ish-agjent i lartë i FBI-së, u deklarua fajtor në vitin 2023 për një akuzë të ngjashme me atë që tani përballet Sergei Shestaky

Prokurorët janë përplasur me avokaten Glavin mbi marrjen në pyetje të Fokin, i cili jeton në Rusi dhe punon si këshilltar i lartë i Deripaskës në EN+. Ai nuk pranoi të udhëtojë në SHBA për asnjë arsye, sipas dokumenteve të gjykatës, duke u frikësuar nga arrestimi.

Pas negociatave nëse Fokin do të merrej në pyetje në Turqi ose Dubai, palët ranë dakord që ai do të dëshmojë në gjyq përmes videolidhjes.

Fokin nuk iu përgjigj e-maileve të Radios Evropa e Lirë për koment.

Në disa qarqe rusishtfolëse në rajonin e Nju Jorkut, Shestakov njihej si një “sekser”, njeri që zgjidhte probleme, dhe njeri simpatik. Ai është qytetar i natyralizuar amerikan që më parë kishte punuar për ministritë e jashtme të Bashkimit Sovjetik dhe më pas të Rusisë.

Shestakov u tërhoq nga shërbimi diplomatik dhe u vendos në zonën e Nju Jorkut në vitin 1993.

Në vitet 2010, ai punoi si përkthyes i autorizuar për gjykatat federale të SHBA-së dhe për zyrat e prokurorëve federalë në Menheten dhe Bruklin.

Marrëdhënia e tij me Fokin daton që nga vitet ‘80, dhe të dy kanë punuar për Gusinskyn. Madje, në vitin 2019, Shestakov kishte një kartë krediti në emrin e Gusinskyt që e përdorte për të blerë, ndër të tjera, bileta për ndeshje hokeji me mijëra dollarë.

Gusinsky nuk iu përgjigj kërkesave për koment.

Shestakov e njoftoi McGonigalin me Fokinin diku rreth vitit 2018, sipas aktakuzës.

Në prill të atij viti, Deripaska u sanksionua nga Departamenti amerikan i Thesarit “për veprimtari në emër të një zyrtari të lartë të Qeverisë së Federatës Ruse”.

EN+ dhe Rusal gjithashtu u përfshinë në sanksione në të njëjtën kohë.

Një nga njerëzit më të pasur të Rusisë, Deripaska e ndërtoi pasurinë e tij gjatë viteve kaotike ‘90, kur biznesmenët luftonin egërsisht dhe shpesh me dhunë për kontrollin e industrive të mëdha të vendit, si prodhimi i aluminit. Ai konsiderohet shembulli klasik i një oligarku: një biznesmen me pasuri të madhe dhe lidhje të ngushta me Kremlinin dhe presidentin Vladimir Putin.

Ai gjithashtu ka qenë në radarin e zyrtarëve ligjorë amerikanë prej dekadash, të paktën që nga viti 2006, kur iu mohua viza për të hyrë në SHBA. Këto vështirësi e shtynë atë të punësonte firma lobimi të lidhura me republikanët dhe, në fund të viteve 2010, ai investoi në projekte me Paul Manafort, operativin republikan që për një kohë të shkurtër drejtoi fushatën presidenciale të Donald Trumpit në 2016.

Në shtator 2022, Deripaska u padit për përpjekje për të shmangur sanksionet amerikane. Akuzat përfshijnë pretendime se ai organizoi që e dashura e tij shtatzënë të udhëtonte në SHBA për të lindur atje, në mënyrë që fëmija të merrte shtetësinë amerikane.

Sanksionet ndaj EN+ Group dhe Rusal u hoqën në vitin 2019 pasi Deripaska ra dakord të distancohej nga pronësia e kompanive. Ai vetë mbetet ende nën sanksione.

Autoritetet amerikane pretendojnë se Fokin punësoi McGonigalin dhe Shestakovin për të kërkuar informacion kompromentues mbi Vladimir Potanin, një tjetër oligark rus dhe magnat i metaleve, që është rival i Deripaskës.

McGonigal, i cili doli në pension nga FBI në fund të vitit 2018, gjithashtu kërkoi të siguronte një praktikë për vajzën e Fokin në Departamentin e Policisë së Nju Jorkut, një gjë që ngriti dyshime brenda departamentit. Ai më vonë u tha autoriteteve se po përpiqej ta kultivonte Fokin si një agjent të mundshëm të dyfishtë, sipas dokumenteve të gjykatës.

Në fund të nëntorit 2021, agjentët e FBI-së konfiskuan pajisjet elektronike të Shestakovit. Disa ditë më parë, ai ishte pyetur për marrëdhënien e tij me Fokin dhe u pyet nëse kishte ndonjëherë ndonjë bashkëpunim biznesi me të.

“Jo, asnjë biznes”, u përgjigj Shestakov, sipas dokumenteve gjyqësore.

Përgatiti: Ekrem Idrizi

Më 2024 popullsia e re në moshë u tkurr me madhësinë e Kavajës, Shqipëria me 29 mijë të rinj më pak

Vetëm për një vit nga 2023 në 2024 popullsia e re në moshën 0-29 vjeç u tkurr me 29 mijë e 300 banorë ose 4 për qind, gati trefishi i popullsisë së përgjithshme. Të dhënat tregojnë se numri i të rinjve është tkurrur në një vit në masën e bashkisë Kavajë.

Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë një prirje të fortë tkurrjeje në çdo grup-moshë prej 0 deri 29 vjeç.

Numri i foshnjave (0-4 vjeç) nga 2023 në 2024 ra me 2,5 % duke pasqyruar normat e ulëta të fertilitetit, prej vitesh nën 1,5 fëmijë për grua.

Në grupin 20-29 vjeç numri i popullsie u tkurr me rreth 12 800 persona (gati gjysma e rënies totale). Kjo është mosha më e prirur të emigrojë për studime, punë sezonale apo kontrata të përhershme në BE.

Sipas “Youth Study 2024”, 1 në 3 të rinj shpreh dëshirë të largohet kryesisht për paga e standard jetese më të lartë; 1 në 5 synon të mos kthehet.

Tregu europian i punës, programet e mobilitetit (“Erasmus+”, vizat pune sezonale në BE, marrëveshjet MB-Shqipëri) veprojnë si faktorë që po nxisin më tej largimin e të rinjve.

Sakaq kalimi nga një grup moshë në tjetrën në tjetrën e bën rënien dukshëm më të thellë te 25-29-vjeçarët.

Maturantët e 2018-ës sot ja të punësuar kudo në tregun europian, pasi shumë prej tyre zgjedhin të largohen duke krijuar një boshllëk të madhe në tregun vendas të punës. Brezi i lindur më 1995-2000 (relativisht i madh) po dalin nga segmenti 20-24 vjeç, ndërsa hyrjet e reja 0-4 vjeç janë shumë më pak.

Tkurrja e fortë e të rinjve po vë në vështirësi shkollat pasi për shkak të regjistrimeve më të pakta mbyllen shkollat në zonat rurale, teksa tregu i punës po përballet me mungesë punonjësish në të gjithë sektorët që nga IT, turizëm, shërbime. Kjo mungesë po shkakton presion për rritjen e pagave dhe furnizimin me punonjës të huaj.

Financat publike pritet të përballen me shpenzime më të larta për skemat e pensioneve, në një kohë që numri i kontribuuesve do të vijë në rënie.

Tkurrja e grup-moshave 0-29 vjeç nuk është thjesht një statistikë, por paralajmëron transformime të thella në tregun e arsimit, në ekonomi dhe në strukturën shoqërore shqiptare. Tregu i punës në Shqipëri ofron ende paga më të ulëta se vendet fqinje, ndërkohë që mungesa e stafeve të kualifikuara (mësues, infermierë, inxhinierë) krijon spirale “brain-drain”.

Demografët lajmërojnë se nëse institucionet nuk veprojnë sot, duke venë popullsinë dhe rritjen e saj si prioritet, fenomenet lindshmëri-emigracion do të imponojë ndryshime shumë më të kushtueshme.

Sakaq, Shqipëria rrezikon të përballet me një hendek të përhershëm, ku mungesa e kapitalit njerëzor do të kufizojë rritjen ekonomike dhe aftësinë për t’u integruar me sukses në tregun unik evropian./ Monitor

 

Kurti pas deklaratës së Trumpit: T’i bëhet trysni Beogradit

Radio Evropa e Lirë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha të hënën se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është i mundur dhe për t’u arritur kjo, duhet që t’i bëhet trysni Beogradit që të zbatojë Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve, të arritur më 2023.

Kështu u përgjigj Kurti në pyetjen nëse mund të ketë shpejt një marrëveshje me Serbinë, pas një deklarate të bërë një ditë më parë nga presidenti amerikan, Donald Trump, lidhur me raportet mes Prishtinës dhe Beogradit.

Kurti përsëriti qëndrimin se Kosova dhe Serbia veçse e kanë arritur një marrëveshje për normalizim, që tha se po shkelet nga Beogradi, teksa përsëriti kërkesat e Kosovës për këtë proces.

“Për të normalizuar marrëdhëniet midis dy vendeve tona është e domosdoshme që ata pikë së pari t’ua dorëzojnë autoriteteve të shtetit tonë Millan Radoiçiqin, kriminelin i cili na e vrau rreshterin policor, heroin e Kosovës, Afrim Bunjaku. Më pas, të pranojnë ta nënshkruajnë Marrëveshjen bazike me Aneksin e zbatimit. Njëkohësisht, ta tërheqin edhe atë letrën nga dhjetori i vitit 2023, kur ish-kryeministrja [serbe, Ana] Bërnabiq ka thënë që nuk e respekton integritetin territorial të Kosovës”, tha Kurti.

Trump shkroi të dielën në Truth Social se gjatë mandatit të tij të parë presidencial, Kosova dhe Serbia ishin “duke shkuar drejt një përplasje të ashpër” dhe ishte gati shpërthimi i një lufte, por shtoi se ai e ndaloi atë, duke e akuzuar pasardhësin e tij, ish-presidentin Joe Biden, se e “ka dëmtuar perspektivën afatgjatë me disa vendime shumë të pakuptimta, por unë do ta rregulloj, sërish”.

Gjatë mandatit të parë të Trumpit, më 2020, Kosova dhe Serbia arritën në Shtëpinë e Bardhë një marrëveshje për normalizim ekonomik. Kjo marrëveshje, që përfshiu edhe njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Izraeli, nuk është zbatuar plotësisht.

Pas fitores së Trumpit në zgjedhjet presidenciale nëntorin e vitit të kaluar, Kurti ishte pyetur lidhur me zbatimin e kësaj marrëveshjeje, që njihet si Marrëveshja e Uashingtonit.

Atëbotë, ai po ashtu kishte deklaruar se së pari duhej të zbatohet marrëveshja e arritur më 2023 në Bruksel, dhe aneksi për zbatimin e saj, për të cilin palët u dakorduan në Ohër.

“Besoj që normalizimi është i mundur, trysnia duhet të jetë mbi Beogradin dhe gjithmonë e mirëpresim rolin e SHBA-së, që është aleatja jonë kryesore, partnerja e pazëvendësueshme dhe mikja speciale në tri fusha kryesore. E para është mbrojtja, e dyta është diplomacia, dhe e treta është zhvillimi”, tha Kurti për gazetarët më 16 qershor.

Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të raporteve nuk është nënshkruar nga palët, për shkak të refuzimit të Serbisë që të bëjë një gjë të tillë. Por, Bashkimi Evropian – që ndërmjetëson dialogun mes Kosovës dhe Serbisë – insiston se marrëveshja është obligative për palët.

Marrëveshja prej 11 nenesh, ndër tjerash, parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

Kosova dhe Serbia që nga shtatori i vitit 2023 nuk kanë zhvilluar takim të dialogut në nivel të lartë politik. Së voni, i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka bërë me dije se po bëhen përgatitje për një takim të ri të dialogut në nivel të lartë politik.

Alarm për tregun e punës, aftësitë e punonjësve shqiptare sa 37% e atyre në BE

Teksa Shqipëria synon të anëtarësohet në BE në vitin 2030 një hendek i madh mbetet i hapur në aftësitë e punonjësve shqiptare me ata të BE-s referon një raport i fundit i Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) për konvergjencën e vendeve të Ballkanit me BE-në.

Ndërsa mesatarja e Bashkimit Europian në fushën e shkathtësive (skills) vendoset në 100 pikë, standardi i referencë, Shqipëria arrin vetëm 37 pikë, duke shënuar një deficit prej 63 pikësh që kufizon thellësisht konkurrueshmërinë e vendit, ose vetëm 37% e mesatares së BE-së.

Pikat e dobëta të Shqipërisë lidhen me nivelin e ulët të diplomave në fushat teknike dhe shkencore, aftësi të ulëta digjitale, pjesëmarrje e ulët në arsim gjatë gjithë jetës dhe rezultate të ulëta në testin e PISA, që krahason rezultatet e nxënësve në botë.

Analiza e OECD thekson se Shqipëria ka investime të pamjaftueshme në arsim cilësor, pasi shpenzimet publike për arsimin mbeten nën 3% të PBB-së, krahasuar me 5 % në BE.

Emigrimi i të rinjve me aftësi, “Brain drain” ka ndikuar në thellimin e hendekut të aftësive duke reduktuar grupet e punonjësve me kualifikim.

Gjithashtu vendi ynë ka përputhje e dobët mes kurrikulave dhe nevojave të biznesit. Aftësitë e ulëta të punonjësve pengojnë zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë. Me fuqi punëtore të pakualifikuar, prodhimi për punonjës mbetet në kuota të ulëta. Kjo gjendje pengon tërheqjen e investime të huaja, pasi investitorët kërkojnë talente që mund të mbështesin teknologji të avancuara.

Hendeku i aftësive ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Europian (BE) paraqet pengesa të mëdha për zhvillimin afatgjatë të vendit, në aspektin ekonomik dhe social.

Mospërputhja midis aftësive që kërkon tregu vendas dhe atyre që zhvillohen nga sistemi arsimor shtyn të rinjtë drejt emigracionit. Shqipëria humbet potencialin njerëzor më produktiv, çka e përkeqëson më tej hendekun e aftësive, siç edhe po ndodh.

Mospërputhja strukturore në arsim, trajnime dhe formim profesional konsiderohet një barrierë për harmonizimin e plotë me acquis communautaire.

Ata që nuk arrijnë të zhvillojnë aftësi të reja përfundojnë të përjashtuar nga tregu i punës ose në sektorin informal. Hendeku i aftësive rrit me tej pabarazinë pasi rritet ndarja mes atyre që përfitojnë nga procesi i digjitalizimit dhe të tjerëve që mbeten pas.

BE po synon të kalojë nga një ekonomi e qëndrueshme në një model të bazuar në teknologji të avancuar (Green Deal, digjitalizimi), por Shqipëria rrezikon të mbetet jashtë këtyre transformimeve për shkak të mungesës së aftësive të fuqisë punëtore.

Hendeku 63-pikësh i Shqipërisë ne aftësitë e forcës së pune me BE-në nuk është thjesht statistikë, por është kufiri që ndan vendin tonë nga ekonomitë me vlerë të shtuar. Ekspertët e OECD-së referojnë se arritja e një përparimi të qëndrueshëm kërkon reformë të thellë në arsim, skema incentivash për sektorin privat dhe një kulturë të re të mësimit gjatë gjithë jetës. Vetëm në këtë mënyrë Shqipëria mund të ngushtojë diferencën dhe të ndërtojë një treg pune pa më shumë konkurrues në dekadën e ardhshme./ Monitor

 

Rasti i masakrës së Mejës në gjykatë, por jo edhe të akuzuarit

Një ceremoni përkujtimore te varrezat në Mejë. Prill, 2021.

 

Sandra Cvetkoviq

Ky krim ndodhi në prill të vitit 1999, kur u vranë 370 shqiptarë të Kosovës, trupat e të cilëve u gjetën më pas në tetë varreza masive në Batajnicë të Serbisë.

Aktakuza, e ngritur në dhjetor të vitit 2023 dhe e plotësuar në prill të vitit 2024, përfshin 53 persona, ndër të cilët i dyshuari kryesor është Momir Stojanoviq, ish-shef i Departamentit për Siguri në Komandën e Korpusit të Prishtinës, i cili ka qenë edhe drejtor i Agjencisë Ushtarake dhe të Sigurimit të Serbisë.

Në mesin e të akuzuarve janë edhe Franko Simatoviq “Frenki”, komandant i Njësisë për Operacione Speciale (JSO), e formuar nga Shërbimi i Sigurisë Shtetërore i Serbisë në fillim të viteve ’90; Sreten Çamoviq, ish-shef i Sigurisë; Verolub Zhivkoviq, ish-shef i Shtabit të Korpusit të Prishtinës; Illija Todorov, ish-komandant i Brigadës së 63-të Parashutiste, dhe Dragan Zhivanoviq, ish-komandant i Brigadës së 52-të Raketore të Artilerisë.

Roli i JSO-së në luftën në Kosovë

Në fillim të dekadës së fundit të shekullit XX, Shërbimi i Sigurimit të Shtetit i Serbisë – i njohur më vonë si Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit, BIA – themeloi Njësinë për Operacione Speciale (JSO).

Në atë kohë, ky shërbim drejtohej nga Jovica Stanishiq – njëri prej bashkëpunëtorëve më të afërt të presidentit të atëhershëm jugosllav, Sllobodan Millosheviq.

Dorë e djathtë e tij ishte Franko Simatoviq, i njohur si “Frenki”, themelues i JSO-së dhe përgjegjës për koordinimin e njësive paramilitare në frontet e luftës në Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë.

Në maj të vitit 2023, Gjykata në Hagë dënoi përfundimisht Stanishiqin dhe Simatoviqin me nga 15 vjet burg, për mbështetjen dhe inkurajimin e krimeve të luftës në Bosnje e Hercegovinë, në vitin 1992.

Ata u shpallën fajtorë për krime në Bijelinë, Doboj, Zvornik, Tërnovo, Sanski Most dhe Bosanski Shamac.

Njësia për Operacione Speciale, me këtë emër, mori pjesë edhe në luftën në Kosovë gjatë viteve 1998-1999.

Në një intervistë për organizatën ndërkombëtare, Human Rights Watch, një polic serb që kishte shërbyer për gjashtë muaj në Kosovë më 1998, i përshkroi pjesëtarët e JSO-së, të njohur edhe si “Frenkistët”, si jashtëzakonisht brutalë.

“Frenkistët i vrasin të gjithë. Besomëni, nuk doni t’i shihni”, kishte deklaruar ai në një intervistë të përfshirë në librin e HRW-së “Me urdhër: Krimet e luftës në Kosovë”, i cili u botua në serbisht në vitin 2003 nga Samizdat B92.

Në mesin e të akuzuarve për krimet në Mejë dhe fshatrat tjerë përreth Gjakovës janë edhe zyrtarë të tjerë të Shërbimit të Sigurimit të Shtetit të Serbisë dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të cilët akuzohen për planifikimin dhe zbatimin e operacionit “Lumi i keq”, gjatë të cilit u vranë 370 civilë shqiptarë.

Ata akuzohen për vrasje, dhunë fizike dhe seksuale, tortura, plaçkitje dhe dëbim etnik të shqiptarëve.

Gjyqi në Prishtinë mbahet në mungesë të të akuzuarve, pasi ata nuk janë në dispozicion të autoriteteve gjyqësore të Kosovës.

Prokurorja Drita Hajdari, tani në pension, ka deklaruar më herët se rasti i Mejës është trashëguar nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), i cili në vitin 2013 ka hapur hetimet ndaj 18 personave.

Ajo ka bërë të ditur se, pas marrjes së lëndës në fund të vitit 2018, prokurorët vendorë kanë vazhduar dhe zgjeruar hetimet edhe ndaj 35 personave të tjerë, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të akuzuarve në këtë rast në 53.

Në raportin e EULEX-it për monitorimin e sundimit të ligjit, të publikuar në nëntor të vitit 2024, thuhet se aktakuza për krimet në Mejë është rast me përparësi të madhe dhe se përfshin një doktrinë të ndërlikuar ligjore të përgjegjësisë komanduese.

“Për herë të parë trajton edhe shfarosjen e fshatrave të tërë – gjë që e rrit edhe më tej kompleksitetin e saj”, thuhet në raport.

Kandiq: Të akuzuarit ndodhen në Serbi, të mbrojtur nga përgjegjësia penale

Natasha Kandiq, themeluese e Fondit për të Drejtën Humanitare në Serbi, thotë se krimi në Mejë nuk është sqaruar kurrë mjaftueshëm për t’u sjellë drejtësi viktimave dhe për të kontribuar në vendosjen e drejtësisë pas luftës në Kosovë.

Ajo shton se shumica e trupave të të vrarëve në Mejë dhe në fshatrat përreth, pranë Gjakovës, janë zhvarrosur nga varret masive në kompleksin e policisë në Batajnicë, por se 15 persona të tjerë janë ende të zhdukur.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Kandiq thotë se para Gjykatës së Hagës janë paraqitur dhe vërtetuar prova të shumta, të cilat u kanë mundësuar autoriteteve gjyqësore në Serbi t’i fillonin procedurat dhe ta ndiqnin penalisht krimin më të madh në Kosovë, në mënyrë që përgjegjësit të ndëshkoheshin.

Por kjo, siç thotë ajo, nuk ka ndodhur kurrë.

Fondi për të Drejtën Humanitare, shton Kandiq, ka iniciuar rastin e Momir Stojanoviqit, të dyshuarit kryesor për krimet në Mejë, në vitin 2015, dhe më pas, sipas saj, prokurori i EULEX-it ka lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar për të, po atë vit.

Ajo thotë se Fondi për të Drejtën Humanitare i ka kërkuar Prokurorisë për Krime Lufte në Serbi t’i niste hetimet, por se përgjigjja ka qenë “zhgënjyese” – se Momir Stojanoviq “nuk figuron në dokumentacionin dëshmues”.

“Krimi është i tmerrshëm, krimi është më i madhi [në Kosovë]. Vetëm përfaqësuesit më të lartë të Korpusit të Prishtinës të Armatës së Tretë janë mbajtur përgjegjës për atë krim, por ekziston një listë shumë e gjatë e atyre që i përkasin atij rangu oficerësh, me pozicione të rëndësishme… dhe askush nuk është mbajtur përgjegjës”.

“Të gjithë janë në Serbi, disa prej tyre janë në pension, por të gjithë janë në Serbi, të mbrojtur nga përgjegjësia penale, sepse nuk ka vullnet politik për t’i ndëshkuar, sidomos ato krime në Mejë, Korenicë dhe fshatra të tjerë pranë kufirit me Shqipërinë”, thotë Kandiq.

Gjykimi në mungesë

Gjykimi në mungesë në Kosovë është mundësuar me ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale, në vitin 2022, por vetëm me kusht që prokuroria dhe gjykata t’i kenë shteruar të gjitha mjetet për të siguruar praninë e të akuzuarit.

Megjithatë, Kodi i Procedurës Penale përcakton se personat që gjykohen në mungesë, për shkak se autoritetet nuk kanë arritur të sigurojnë praninë e tyre, kanë të drejtë për një rigjykim pa kushte, kur të arrestohen.

Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, që nga hyrja në fuqi e ligjit për gjykimet në mungesë deri në shkurt të vitt 2025, janë ngritur pesëmbëdhjetë aktakuza në mungesë, kundër 73 anëtarëve të forcave serbe, të cilët dyshohen se kanë kryer krime lufte në Kosovë.

Aktgjykimi i parë në mungesë u dha në dhjetor të vitit 2024 në rastin e Çedomir Aksiqit, i cili u dënua me 15 vjet burg për krime lufte kundër popullatës civile, të kryera midis janarit dhe majit të vitit 1999 në territorin e komunës së Shtimjes në Kosovë.

“Gjykimet në mungesë nuk sjellin drejtësi”

Kandiq vlerëson se “kur politika e zëvendëson ligjin, atëherë nga drejtësia penale kemi gjykime në mungesë”.

“Për ata që nuk janë të disponueshëm, për ata që janë në Serbi, jeta e mëtejshme do të jetë e tillë që nuk do të mund të lëvizin askund, jashtë Serbisë, sepse do të arrestohen. Sa i përket drejtësisë, lind pyetja nëse gjyqësori i Kosovës do të jetë në gjendje t’i provojë krimet kundër të të gjithë të akuzuarve, nëse gjyqi do të duket si një forum ku do të dëgjohen vetëm rrëfimet e viktimave, pa asnjë komunikim me autoritetet gjyqësore të Serbisë”, thotë Kandiq.

Ajo shton se gjykimet në mungesë nuk sjellin drejtësi, nëse nuk ka bashkëpunim institucional midis Kosovës dhe Serbisë.

Sipas saj, Bashkimi Evropian duhet të gjejë një zgjidhje për këtë bashkëpunim brenda kornizës së dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, “në mënyrë që të ngrihen aktakuza të dokumentuara dhe me cilësi të lartë dhe që mund të çojnë në rezultate efektive në praktikë”.

Në të kundërtën, thekson Kandiq, gjykimet në mungesë nuk do të sjellin ndryshime të mëdha, përveç faktit se edhe Kosova, edhe Serbia do t’i mbrojnë qytetarët e tyre të dënuar për krime lufte.

Bekim Blakaj, nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, i ka thënë më herët Radios Evropa e Lirë se gjykimet për krime lufte në mungesë “shkojnë kundër standardeve evropiane për gjykime të drejta”, sepse të akuzuarit nuk janë në gjendje ta mbrojnë veten.

Në proceset gjyqësore në mungesë në Kosovë, të akuzuarit përfaqësohen nga avokatë të caktuar me detyrë zyrtare.

“Për ne, ky nuk është gjyq i drejtë”, ka thënë Blakaj, duke shtuar se vendimet në mungesë janë “drejtësi e rreme” për viktimat ose anëtarët e familjeve të tyre, të cilët, fillimisht, mund të ndihen të lehtësuar, por, me kalimin e kohës, do të mbeten të zhgënjyer, pasi të dënuarit do të vazhdojnë të jenë të lirë.

Gjatë luftës në Kosovë, nga viti 1998 deri më 1999, janë vrarë mbi 13.000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë janë zhdukur.

Rreth 1.600 persona, kryesisht shqiptarë, janë ende në kërkim.

Radio Evropa e Lirë

Përgatiti: Valona Tela

UGSHPD: 360o – NGA PLURALIZMI NË PULARIZËM SËRISH

 
(Dritëro Agolli:-“Ja nga çfarë trashamanësh drejtohej partia, trashamanë që as fjalën pluralizëm nuk e shqiptonin dot, por i thoshin ‘pularizëm’ “.)*
Ja nga çfarë trashamanësh drejtohej partia, trashamanë që as fjalën pluralizëm nuk e shqiptonin dot, por i thoshin ‘pularizëm’ “. Kështu është shprehur shkrimtari i njohur Dritëro Agolli 34 vite më parë kur qortoi në sy PPSH-n në Kongresin e X të saj, të mbajtur  10-12 Qershor, 1991.
Të ndarë aso kohe në liberalë pro reformave dhe fanatikë me vijën e hekurt komuniste që mbajtën ndër vite pushtetin ekonomik, sot Rilindja Socialiste trashëguese po i kujton shqiptarët se ata do ta jetojnë parti-shtetin në rast të një mandati të katërt të Ramës.
A do ta dëgjonin sot me po atë interes kontributin në dialogun politik të Dritëro Agollit opinioni publik?! Në ditët e mandatit të tretë fjalimet e qeveritarëve dhe të politikanëve i prodhoi Chat GPT-ja, ndaj mendësia progresiste po vazhdon dhe po vepron si e mirëqenë jashtë realitetit social ekonomik të Shqipërisë. Mjafton që t’i kërkosh zbukurimin e një fakti të caktuar dhe propaganda të huton me arritje shumëngjyrëshe, në turizëm, agroturizëm, mjedis, transport etj. në çdo drejtim, ku a thua se nuk janë shqiptarët që ndeshen me mungesën e energjisë, ujit, ndotjes së ajrit, strehimit, papunësisë, skamjes dhe urisë.
A do ta dëgjonte me po atë interes kontributin në dialogun politik të Dritëro Agollit dikush sot? Mesa duket jo! PS-ja vërteton se është “rilindur” duke u kthyer në rrënjët autokratike dhe anëtarësia e saj u kënaq vetëm me ndryshimin e emrit të saj.
Ndërsa për ta ditur, sikurse edhe kjo datë historike kaloi rastet kur Dritëroi përmendet në kohën e sotme janë vetëm ato që lidhen me shtëpinë e tij muze në Tiranë.
Pra a do t’i lërojë vendin(?), ky muze projekteve të arkitekturës dhe objekteve betonizuese ndërtimore që vazhdimisht në emër të një diçkaje shumëkatëshe gëlltisin vlerat dokumentare të jetëve të shkrimtarëve, artistëve dhe publicistëve shqiptarë bashkë në atë pjesë të mirënjohur të kryeqytetit.
Rasti i dytë, është ai i vendosur si në skenë filmi të realizmit socialist që ngjau dy javë pas zgjedhjeve të 11 Majit, 2025 ku Rama i mblodhi të gjithë socialistët me mandat të prerë ose me mandat të pritshëm. Dhe fiks si të ishin spektatorët e “Krevatit të Perandorit”, ata ndoqën në heshtje epilogun e formës më të keqe të një fushate pa program. Mënyrë se si celulat i fitojnë zgjedhjet dhe kush e rri në pushtet duke i shndërruar ata/ato si partizanin Meke* që dikur Dritëroi kishte shkruar.
Nga dëshira e shpronësimit ekonomik dhe mungesa e formimit të të menduarit kritik si pronë individuale intelektuale, të porsazgjedhurit janë përdorues të Chat GTP-së. Propagandistë dhe patronazhistë njëherësh që më parë kanë duart në arkën e shtetit  se sa janë të interesuar të zgjidhin problemet e popullsisë që përfaqësojnë.
Heshtja për guximin e Dritëroit vret edhe më shumë edhe sot 34 ditë pas zgjedhjeve që ende nuk kemi një rezultat zyrtar dhe konfirmim të institucioneve ndërkombëtare. Ndaj për këtë Rama zhvillon tezën e vazhdimësisë së butë të pushtetit drejt mandatit të katërt duke i shpallur mandatet si lista e skuadrave socialiste/celulat qytetase ditë pas dite. Nuk ka asnjë kritikë dhe askush nuk pipëtin. Pra socialistë në turmë dhe pa asnjë mendim ndryshe për Shqipërinë.
Rilindja Socialiste/Partia Socialiste shihet vetëm në urimet e sforcuara të Ramës në ditët e fundit me rastin e 34 vjetorit të PS në 2025. Ai shpall skuadrat fituese socialiste për qytetet dhe duket fare qartë se politika e ekstremit të majtë po e plotëson rrotullimin e plotë 360 gradësh si një vazhdimësi e Partisë së Punës, pra tek partia-shtet që do të kërkojë pushtetin në vazhdimësi.Për të kuptuar më shumë lidhjen me këtë datë, 34 vjetorin e ndryshimit të emrit nga historia e dokumentuar kujtohet se sipas Xhelil Gjonit ndryshimi i emrit të Partisë së Punës kishte dy emrat që do ta zëvendësonin.
Do të ishin:
Partia Socialiste (ai që u mbajt).
Partia e së Ardhmes Socialiste të Shqipërisë. 
Pra kanë kaluar tri dekada e gjysmë dhe bindjet ndaj atij drejtimi fanatik janë ushqyer deri në atë masë që Shqipëria të rijetojë luftën e klasave për shkak të përkatësisë politike. Ku rëndom ndodh se me partinë në pushtet bëhesh pjesë e administratës ndërsa në pozitat kundër; je i luftuar, i taksuar dhe i përzënë edhe me pasaportë BE-je në emigracion.
Çfarë Rama kishte projektuar se do t’i duhej për të qëndruar edhe një tjetër mandat po vërtetohet se me këtë rezultat zgjedhjet kanë parregullsi të mëdha, asnjë këshillë nga ndërkombëtarët nuk është marrë parasysh për, fusha e lojës ishte e pabarabartë  dhe i shërbejnë vendosjes së një pushteti absolut parti-shtet pa opozitë. Demokracia brenda kësaj force politike edhe pse në një mijëvjeçar të ri nuk mund të shkëputet dot as nga e kaluara moniste dhe as kulti i individit që bashkë me korrupsionin po e përkeqësojnë fatin e shqiptarëve dhe ardhmërinë e vendit. 2025 si një vit zgjedhor po tregon se arroganca e një autokrati mbetet e pamëshirshme në asfiksimin e opozitës politike dhe të pluralizmit që materializohet me ndërtimin e një sistemi zgjedhor tërësisht të kontrolluar. Vota pa rezultat ose zvarritja e numërimit të saktë edhe një muaj pas hedhjes së saj në kuti i paraprijnë fatkeqësive që do të burojnë nga pushteti dhe qeverisja e nesërme e vendit dhe kjo ka vetëm një protagonist që u duk se me propagandën e blerë kuroi imazhin, por në të vërtetë si brenda vendit edhe në diasporë ai shëmtoi në emër të pushtetit procesin zgjedhor përmes korrupsionit dhe frikës  dhe që me zgjatjen e pushtetit do të mund t’i shmanget drejtësisë.
Mes këtij imazhi kemi:
-Ramën Kryeministër.
-Ramën Kryebashkiak.
-Ramën numërues të votave.
-Ramën Nikoqir Samitesh.
-Ramën diku pa adresë pushimesh.
-Ramën trajner skuadrash rilindëse për çdo qytet e qark politik në lojë dhe në stol (listë e hapur dhe e mbyllur).
-Ramën në krye të partisë i cili dy javë pas zgjedhjeve të 11 Majit u dha monologun e Mekes të gjithë atyre që duan të bëhen deputetë ose do ta lënë mandatin si “përfaqësuesit e popullit” pas rezultatit të zgjedhjeve.
Pra, pa program dhe me idenë se pasaporta e BE-së është si ylli i shtuar pas 2030, me këtë metodë Rama i është drejtuar të mbajturve pranë vetes duke plotësuar jo vetëm rrotullimin e plotë 360 gradësh politik, por edhe duke i shtuar politikës bazë prirjet e reja të ekstremit të majtë ndërkombëtar me anti vlerat e qendrimeve për kombin, familjen, besimin, pronën, trashëgiminë kulturore të cilat duhen ndalur për rrezikshmërinë që sjellin. Fatkeqësinë e partisë-shtet të dalë nga zgjedhjet nuk e lexuan dot shqiptarët.
Tymnaja e propagandës dhe vazhdimësia e Partisë së Punës që e qeveris e fshehur shtetin funksionoi.
Në këtë përmbajtje “Pallati i Brigadave”* për shkak të heshtjes ku vetëm Rama recitoi dhe si me monologun e Mekes i bëri të gjithë “të mandatuarit” të ndiheshin ofiqarë të Perandorisë së Rilindjes Socialiste.
Kjo tragjikomedi, farse e zgjedhjeve na çoi tek memoria politike e sistemit të kalbur qe ka marrë me vete ky sistem politik të cilit shkrimtari të ndjerë Dritëro Agolli ju përgjigj në 1991.
Dritëroi atëherë në praninë e mijëra delegatëve komunistë, të konvertuar në rilindës sot të Kongresit X të PPSH-s*, në Qershorin e largët 1991 ju kujtoi injorantëve rinovimin. “Pularisteve” Dritëroi u tha se quhet PLURALIZËM.
Mbi dogmën e trashëguar duke u armiqësuar me trashanikët shkrimtari cilësoi disa shprehje që 83 kuvendareve të rinj u shkojnë për shtat edhe sot sepse janë pa zë dhe të heshtur: –“Kjo është tribuna ime, tribuna e partisë ku unë aderoj dhe nuk ka njeri të më pengojë të flas…” .
 
Ndryshe nga ajo kohë, Rama ka larguar mendimin ndryshe, mohuar demokracinë dhe ndaluar fjalën e lirë brenda subjektit politik dhe përpara vetes ka mbledhur hartuesit e fjalimeve me inteligjencën artificiale dhe të gjithë ata që do ti nënshtrohen edukimit politik ose formatit të bindjes me forcën e kartonit dhe direktivën e patronazhistit që hesht “pa i rrahur” me qindra socialistë.
Ky formacion në Kuvend i dalë nga zgjedhje të dhunuara, i bën ata të gjithë pjesë e korrupsionit të pushtetit duke i “zbutur me mandat” kuvendari sepse zë ndryshe jashtë urdhrit ata/ato nuk përfaqësojnë.
Në qoftë se Dritëroi ua tha copë komunistëve 34 vite më parë se katër ishin gabimet: 1- vija e diktaturës së hekurt,  2- vija e shtrembër politike në ekonomi, 3- vija politike e pamëshirshme në të drejtat e liritë e njeriut dhe në lirinë e ndërgjegjes (spiunim dhe luftë klasash), 4- politikë e  izoluese që e udhëhoqën mbrapsht Shqipërinë në 50 vite.
Këto cilësime kulmojnë sot edhe me kthim shpine ndaj Kosovës dhe Diasporës. 
Të gjitha bashkë nuk kanë ndryshuar dhe shprehin më së miri të gjithë sistemin parti-shtet që Rama ka nisur të instalojë në Shqipëri.
Morali mbeten zgjedhjet.
Ndërsa rezultati i tyre është vazhdimësia e diktaturës.
Populli e ka kuptuar tashmë dhe to të reagojë.
Ky mësim politik që nuk e përfillet dhe heshtet deri tani nga anëtarësia e Rilindjes Socialiste dhe nga kontribues të vetëm në rradhët që janë shpallur socialistë të ndershëm, tregon se ky formacion politik e ka më të lehtë që t’i shkëputet proceseve të demokratizimit të shoqërisë shqiptare dhe të përfitojë nga shteti që ushqehet me krimin ekonomik dhe e korrupsionin. Zgjedhjet e vitit 2025 hynë dhe do të mbahen mend në historinë e Shqipërisë si një çoroditje dhe pabarazi gare politike ku zgjedhjet perfeksionojnë sistemin e grabitjes së votës nga shteti, mbikëqyrja patronazhiste dhe bandat intimidimi i zgjedhësve dhe blerja e votës janë mjete të mjaftueshme jo vetëm për t’i grabitur zgjedhjet dhe liritë, por për të rivendosur diktaturën.
__________
*Kongresi i 10-të i PPSH Qershor 1991
*Meke-personazhi në “Krevati i Perandorit”- Kinostudio Shqipëria e Re 1973
 
15 Qershor, 2025
 

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)

Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)

Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)

L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)

Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)

Binomi, ekonomi – plakje/ Shqipëria rrezikon të bjerë nën kufirin e 2 milionë banorëve përpara vitit 2035

Shqipëria hyri në vitin 2025 me një popullsi më të plakur dhe emigracion që thellohet më tej. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT për 1 janar 2025, mosha mediane u rrit me 0,8 vjet brenda 1 viti duke arritur në 44,3 vjeç, ndërsa emigracioni neto (ikjet minus ardhjet) arritën në rreth -29 mijë persona. Popullsia ra në 11 qarqet e vendit, përveç Tiranës. Shkodra pësoi tkurrjen më të madhe. Nëse rrethanat demografike të vendit nuk ndryshojnë, me rritjen e lindjeve dhe frenimin e emigracionit, Shqipëria rrezikon të bjerë nën kufirin 2 milionë banorëve përpara vitit 2035. Për të zbutur pasojat e plakjes, ekonomia e vendit duhet të rritet më shumë se 5% në vit, përllogarisin institucionet ndërkombëtare

Nëse rrethanat demografike të vendit nuk ndryshojnë, me rritjen e lindjeve dhe frenimin e emigracionit, Shqipëria rrezikon të bjerë nën kufirin 2 milionë banorë përpara vitit 2035.

Të dhënat e reja zyrtare mbi popullsinë treguan se më 1 janar 2025, në vend jetojnë 2,36 milionë banorë, me rënie 1.8% nga Censi i vitit 2023.

Tkurrja me më shumë se 27 – 30 mijë banorë në vit, e përqendruar kryesisht te moshat e reja, rrezikon ta çojë treguesin e popullsisë përtej çdo skenari dhe gjithashtu i bën edhe më të vështira zgjidhjet.

Në vitin 2024, migracioni neto negativ u dyfishua krahasuar me një vit më parë me – 28,8 mijë persona nga -13,761 persona në vitin 2023.

Ky ritëm i largimit ka ndikuar jo vetëm në numrin e përgjithshëm të popullsisë, por edhe në strukturën e saj demografike, pasi largohen më së shumti të rinjtë dhe familjet e reja.

Paralelisht me emigracionin, Shqipëria ka hyrë në një cikël të gjatë me lindshmëri shumë të ulët në 1.3 lindje për grua.

Kjo reflektohet në ulje të lehtë të raportit të varësisë së të rinjve, nga 23.9% në 2024, në 23.8% në 2025 dhe plakje e përshpejtuar e popullsisë, ndërsa raporti i varësisë së të moshuarve është rritur me 2.2 pikë përqindje ndërmjet 2023 dhe 2025. Shqipëria ka tani një nga popullsitë më të vjetra në Ballkan dhe Europë.

Mosha mediane e BE në janar 2025 ishte 44.7 vjeç, ndërsa në Shqipëri 44.3 vjeç, sipas të dhënave të fundit.

Pasojat kanë nisur të ndihen. Vendi ka më pak të rinj që hyjnë në tregun e punës, ka më shumë të moshuar që dalin në pension.

Shkollat në zona të tëra rrezikojnë mbylljen për mungesë nxënësish dhe administrata dhe tregu i punës vuajnë nga mungesa e burimeve njerëzore.

Demografët dhe ekspertët e ekonomisë mendojnë se pa ndërhyrje të qëndrueshme, do të jetë e vështirë të mbahet në funksion ekonomia, pensionet dhe kujdesi shëndetësor.

Për ekspertin Ilir Gëdeshi, i cili prej vitesh merret me zhvillimet demografike të vendit, duhen politika urgjente që të frenojnë emigracionin dhe të tjera që nxisin natalitetin në vend.

Lindjet nën kufirin 2,1 për grua bëjnë që çdo brez i ri të jetë 40% më i vogël se ai që del në pension, duke e vënë vendin përballë sfidës së ekzistencës në këtë shekull.

Binomi, ekonomi – plakje

Përqendrimi i emigracionit në moshat e reja ul drejtpërdrejt produktivitetin potencial sepse po largohet kapitali njerëzor me arsim dhe gjuhë të huaja, ndërsa rrit barrën e pensioneve për rezidentët që mbeten.

Jetëgjatësia më e lartë 80,9 vjeç për gratë dhe 75,3 vjeç për burrat ushtron më shumë presion mbi shpenzimet për pensione e shëndetësi, teksa vendi ynë edhe tani ka shpenzime publike për banorë sa 34% të mesatares së BE-së.

Nga ana tjetër, ritmi mesatar i rritjes ekonomike 2015 – 2024 është rreth 3.5% në vit, nuk është i mjaftueshëm për të ngushtuar hendekun me BE-në.

Struktura e ekonomisë dominohet nga sektorë me produktivitet të ulët si bujqësi fasoneri, ndërtim dhe turizëm sezonal. Financat publike dhe tregu i punës tashmë janë nën presion.

Për çdo vit varësia e të moshuarve ndaj forcës së punës rritet me 1 pikë për qind në vit dhe skema e pensioneve kërkon financime shtesë sa 0,2% të PBB-së në vit.

Për të zbutur pasojat e plakjes, ekonomia e vendit duhet të rritet më shumë se 5% në vit, – përllogarisin institucione të tilla si FMN-ja.

Për të zbutur efektet e plakjes, vendi ynë duhet të investojë te popullsia e mbetur sidomos në dixhitalizim, automatizim në agropërpunim, grante në kërkim dhe zhvillim dhe të krijojë një ambient të favorshëm për kthimin e diasporës.

Nëse nuk do të ketë ndryshime në treguesit aktualë demografikë deficiti i ISSH-së dyfishohet brenda dekadës.

Nëse nuk ndërhyhet tani për të rritur bazën tatimore, për të tërhequr kapital njerëzor dhe për të modernizuar sektorët kyç, hendeku midis moshës në rritje dhe mirëqenies ekonomike do të zgjerohet, duke i ekspozuar financat publike dhe rritjen afatgjatë ndaj rrezikut sistemik.

Shqipëria hyn në 2025 me një popullsi më të plakur, varësi më të lartë ekonomike dhe ende në humbje migratore. Këto zhvillime po ushtrojnë presion në tregun e punës, financave publike dhe modelit të rritjes ekonomike.

Emigrimi i përqendruar në moshat e reja po redukton popullsinë e re në moshë dhe rrit peshën relative të të moshuarve.

Sipas projeksioneve, Shqipëria do të arrijë një moshë mediane mbi 47 vjeç brenda dekadës, nëse nuk ndryshon trajektorja e lindjeve dhe e migracionit.

Rritja e varësisë së përgjithshme nënkupton se për çdo 100 persona në moshë pune, tani ka 57 persona fëmijë apo pensionistë.

Kjo thellon presionin mbi skemat e pensioneve dhe shpenzimet e shëndetësisë dhe përkeqëson raportin kontribut-përfitim./ Monitor

 

Shengen mbush 40 vjet

 

VOAL- Pikërisht dyzet vjet më parë, më 14 qershor 1985, pesë vende të Komunitetit Ekonomik Evropian të atëhershëm – Franca, Gjermania, Belgjika, Holanda dhe Luksemburgu – themeluan zonën Shengen. Me heqjen e kontrolleve sistematike në kufijtë e brendshëm, po merrte formë një Evropë më konkrete, me përfitime të prekshme për miliona qytetarë.

Megjithatë, sot marrëveshja po tregon shenja lodhjeje. Andrea Ostinelli, korrespondent nga Brukseli, foli për këtë në Radiogiornale.

Emri i komunës së vogël të Luksemburgut ku u nënshkrua marrëveshja është bërë, në gjuhën e zakonshme, sinonim i lëvizjes së lirë. Sot, zona Shengen përfshin 29 shtete, përfshirë Zvicrën – e cila donte të anëtarësohej pavarësisht se mbeti jashtë Bashkimit Evropian – dhe përfshin afërsisht 450 milionë njerëz. Çdo ditë, dy milionë qytetarë kalojnë lirisht kufijtë e saj të brendshëm, ndërsa shkëmbimet tregtare arritën një vlerë prej 4,100 miliardë eurosh në vitin 2024.

Shengeni përfaqëson një nga gurët themeltarë të integrimit evropian. Megjithatë, dyzet vjet pas lindjes së saj, zona po përballet me atë që disa e quajnë “krizë e moshës së mesme”. Së pari pandemia, dhe më pas mbinxehja e çështjes së migracionit, bëri që njëmbëdhjetë vende – përfshirë tre nënshkrueset fillestare: Franca, Gjermania dhe Holanda – të rivendosnin kontrollet e kufijve të brendshëm. Një masë që duhet të jetë e përkohshme dhe e jashtëzakonshme, por që rrezikon të bëhet normë.RSI

Çmimet – Krahasimi tronditës: Produktet bazë në Shqipëri kushtojnë më shumë se në Europë

Një analizë krahasuese e çmimeve e zhvilluar nga “Monitor” në 52 produkte ushqimore, të kujdesit personal dhe produkteve për fëmijë në rrjetin e supermarketeve “Penny” në Gjermani me ato në Shqipëri nxjerr në pah disbalanca të forta. Të dhënat krahasuese treguan se çmimet në Gjermani janë mesatarisht 25.6% më të lira se në Shqipëri për 52 artikujt e përfshirë në tabelë (përjashtohen frutat dhe perimet e freskëta). Produktet për fëmijë dhe detergjentët shiten në marketet tona me çmime dyfish më të larta. Arsyet pas këtyre diferencave lidhen me nivelin e lartë të taksave për mallrat e shportës, sidomos TVSH, kostot e larta të transportit, logjistikës jo shumë të përshtatshme, spekulimeve dhe mungesës së konkurrencës

Nga Blerina Hoxha, MONITOR

Lona, së bashku me bashkëshortin dhe dy fëmijët e vegjël, ka ardhur nga Gjermania te të afërmit në Shqipëri. Teksa shkoi në supermarket për të blerë produktet e nevojshme për vajzën e vogël 7 muajshe, ajo mbeti e habitur nga çmimet.

Qumështi pluhur që ajo në Baden, qytetin ku jeton, e blen 18.99 euro, nuk e gjeti më lirë se 2800 lekë. Panolinat që kushtojnë nga 5-8 euro, në Tiranë janë mbi 2 mijë lekë (mesatarisht 25 euro).

Vetëm me një blerje shpenzoi 10 mijë lekë (100 euro). “Në Baden, me këtë shumë do të kisha blerë shumë më tepër produkte, jo vetëm për fëmijë, por edhe për veten. Edhe çmimet e ushqimeve në supermarkete janë shumë të shtrenjta”, thotë ajo.

Lona dhe bashkëshorti po shqyrtonin mundësinë për t’u rikthyer në Shqipëri, por e shohin të pamundur jetesën me këto çmime. “Në Gjermani marrim 1200 euro kompensim në muaj për fëmijët, nga 600 për secilin deri sa ata të mbushin 18 vjeç”.

Shqetësimet për çmimet e larta kryesisht të artikujve industrialë në marketet shqiptare në krahasim me vendet e zhvilluara të rajonit dhe Europës janë rritur shumë, sidomos me inflacionin të lartë pas pandemisë dhe luftës në Ukrainë.

Një analizë krahasuese e çmimeve e zhvilluar nga “Monitor” në 52 produkte ushqimore, të kujdesit personal dhe produkteve për fëmijë në rrjetin e supermarketeve “Penny” në Gjermani me ato në Shqipëri nxjerr në pah një disbalancë të ndjeshme në koston e jetesës. Shumë artikuj kanë diferencë domethënëse në disfavor të konsumatorit shqiptar.

Për artikujt e pastrimit, detergjentët, shampot etj., dhe produktet për fëmijë u krahasuan çmimet në të njëjtën ditë në rrjetin e marketeve “Penny” në Gjermani dhe marketet e nivelit mesatar në Shqipëri, ndërsa për disa artikuj ushqimorë, duke përfshirë bulmetrat, u morën çmimet mesatare të INSTAT dhe u krahasuan me çmimet në marketet gjermane “Penny”.

Të dhënat krahasuese treguan se çmimet në Gjermani janë mesatarisht 25.6% më të lira se në Shqipëri për 52 artikujt e përfshirë në tabelë. (çmimet në Shqipëri u konvertuan në Euro me kursin zyrtar të BSH, 98.4 lekë).

Arsyet pas këtyre diferencave lidhen me nivelin e lartë të taksave për mallrat e shportës, sidomos TVSH-së, kostove të larta të transportit, logjistikës jo shumë të përshtatshme etj.

“Ne kemi norma të larta të taksave, sidomos TVSH-së për shportën e ushqimeve, teksa kostot e transportit janë mbi 100 euro për ton” tha Eleni Babameto, zotëruese e kompanisë “Teuta”, një nga importuesit kryesorë në vendin tonë.

Të dhënat tregojnë se pijet joalkoolike, produktet e pastrimit dhe kujdesit personal, bulmetrat, dhe produktet për fëmijë në Shqipëri janë shumë më të shtrenjta aktualisht se në Gjermani, me diferenca që kalojnë më shumë se 60%.

Pavarësisht se të ardhurat për frymë në Gjermani janë rreth 5 herë më të larta se në Shqipëri, shumë produkte jetike dhe të përdorimit të përditshëm rezultojnë më të shtrenjta në tregun tonë.

Këto diferenca tregojnë një barrë të lartë mbi konsumatorin shqiptar dhe nevojën për politika më të qarta dhe efikase në fushën e konkurrencës dhe mbrojtjes së konsumatorit.

Eksperti i ekonomisë, Arben Malaj, tha se çmimet e larta të ushqimeve kanë rritur të ardhurat buxhetore. Këto të ardhura duhen të përdoren për të kompensuar me mbështetje financiare shtresat e varfra të vendit, tha ai.

Shqipëria është një nga vendet e pakta në Europë që nuk aplikon lehtësi fiskale për shportën e ushqimeve dhe ndërkohë ka subvencione shumë më të ulëta për të nxitur prodhimin vendas me kosto më të lirë.

Çmimet e larta të ushqimeve janë një nga arsyet kryesore pse shqiptarët çojnë më shumë se 40% të të ardhurave mujore për blerjen e tyre, niveli më i lartë në Europë.

Ushqimet bazë, ku Shqipëria është më e shtrenjtë

Nga të dhënat rezulton se sheqeri është 39% më i shtrenjtë në Shqipëri, 0.97 euro për kilogram krahasuar me Gjermaninë, 0.70 euro për kg.

Edhe vaji i lulediellit ka një diferencë të ndjeshme, me 1.50 euro për litër në Gjermani kundrejt 1.99 euro në Shqipëri, me një diferencë 24%.

Ndërkohë, produktet si patatet, qepët dhe orizi kushtojnë ndjeshëm më lirë në Gjermani – deri në 40% më pak.

Produktet e mishit, Shqipëria më e lirë, por me diferenca të vogla

Produktet e mishit janë më të shtrenjta në Gjermani, siç është rasti i mishit të viçit, që ksuhton 12.29 euro për kilogram Shqipëri (çmimi mesatar INSTAT, janar 2025) ndaj 31.00 euro për kilogram në Gjermani, apo filetos së pulës (6.05 euro/kg në Shqipëri dhe 7.00 euro për kg në Gjermani).

Megjithatë, diferenca nuk është drastike dhe për disa produkte si kremviçet dhe peshku i freskët, diferenca arrin në mbi 3 euro/kg.

Bulmeti, Shqipëria me çmime më të larta

Çmimi i djathit të bardhë në Shqipëri është 9.62 euro/kg, kundrejt 13.00 euro në Gjermani, por kaçkavalli është më i lirë në Gjermani (9.90 euro) se sa në Shqipëri (12.43 euro).

Qumështi dhe kosi janë gjithashtu dukshëm më të lirë në tregun gjerman me 31 dhe 24% më pak.

Vezët kushtojnë afërsisht njësoj në të dyja vendet, ndërsa gjalpi është më i lirë me 6 euro/kg në Gjermani, një diferencë prej 55% nga tregu ynë.

Uji, pijet dhe alkooli – Gjermania më lirë, sidomos për ujin dhe birrën

Çmimi i ujit mineral në Shqipëri është 0.50 euro për litër, ndërsa në Gjermani, vetëm 0.20 euro. Edhe birra rezulton dukshëm më e lirë në Gjermani me 1.79 euro kundrejt 0.70 euro në Shqipëri për një shishe 0.5 litër.

Lëngjet e futave janë shumë më lirë në Gjermani me mbi 50%.

Artikujt e pastrimit dhe higjienës – Shqipëria shumë më e shtrenjtë

Kategoria me diferencën më ekstreme është ajo e detergjentëve dhe produkteve të kujdesit personal. Për shembull, një pako “Finish” me 42 tableta për larëse enësh kushton 16.16 euro në Shqipëri dhe vetëm 9.95 euro në Gjermani, një diferencë prej 6.21 euro apo 38% më shumë.

Edhe produktet e përditshme si “Cif”, “Mastro Lindo”, “Lenor”, apo pasta e dhëmbëve rezultojnë më të shtrenjta në Shqipëri, me diferenca që shkojnë deri në 54%.

Për shembull shampo “Head & Shoulders” shitet për 5.08 euro në Shqipëri dhe vetëm 1.79 euro në Gjermani, një diferencë prej 3.29 eurosh apo gati 65%. Gjithashtu një krem “Nivea” me të njëjtën sasi në Gjermani ishte 80% më lirë në të njëjtën ditë të krahasimit më 29 maj 2025.

Produkte për fëmijë – Shqipëria dyfish më shumë

Çmimi i pelenave “Pampers” për pesha 11-22 kilogramë me 22 copë për fëmijë rezulton 27.34 euro në Shqipëri dhe vetëm 8.70 euro në Gjermani ose 68% më lirë.

E njëjta tendencë vërehet edhe për produktet kozmetike për fëmijë, si kremrat apo shampot, ku diferencat variojnë nga 30% deri në 60% (shiko tabelën).

Ushqimet për fëmijë janë jashtëzakonisht më të shtrenjta. Për shembull produkti “Aptamil Organic 1 Bio 800 gr” kushton në tregun tonë rreth 28 mijë lekë (29 euro) ndërsa në të njëjtën ditë në supermarketin “Penny” në Gjermani kushtoi 18 euro.

Ndërkohë PBB për frymë në Shqipëri është rreth 8 mijë euro, ndërsa në Gjermani, rreth 53 mijë euro. Nga gjithsej 52 produkte të analizuara në tabelë, 42 prej tyre rezultojnë më të lira në Gjermani sesa në Shqipëri.

Nga analiza rezulton se vetëm 9 produkte janë më të shtrenjta në Gjermani sesa në Shqipëri.

TVSH e lartë për ushqimet

Në Shqipëri, Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) për produktet ushqimore është 20%, një nga normat më të larta në Europë.

Në kontrast, vendet fqinje aplikojnë norma më të ulëta Maqedonia e Veriut 5%, Mali i Zi 7%, Kosova 8%, Serbia 10%, ndërsa mesatarja europiane për ushqimet është rreth 9%.

Kjo barrë fiskale e lartë ndikon drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve për konsumatorët shqiptarë.

Zonja Babameto tha se Shqipëria ka taksa të larta në përgjithësi më shumë se rajoni dhe TVSH të lartë për ushqimet, si një arsye e fortë për diferencat e larta. Niveli i lartë i TVSH-së ishte arsye për çmimet e larta edhe sipas përfaqësive të kompanisë tjetër të importeve të ushqimeve “Kosmonte Foods”.

Sipas të dhënave nga “Taxfoundation” dhe “Eurofast”, disa vende si Spanja dhe Portugalia kanë ulje të përkohshme deri në 0% për ushqimet bazë, për të përballuar inflacionin.

Vendet e Bashkimit Europian aplikojnë gjerësisht norma të reduktuara të TVSH-së për ushqimet, për të lehtësuar barrën fiskale mbi konsumatorët. Në Francë, për shembull, ndërsa norma standarde është 20%, TVSH për ushqime është vetëm 5.5%.

Gjermania aplikon një normë standarde prej 19%, por vetëm 7% për ushqimet. Po ashtu, Austria 10%, Belgjika 6%, Italia 4% dhe shumë vende të tjera ndjekin të njëjtin model favorizues për produktet bazë të konsumit.

Rast interesant është Suedia, me normë standarde të lartë 25%, por me vetëm 2.6% TVSH për ushqime, ndërsa Irlanda aplikon zero TVSH për produktet ushqimore.

Disa shtete, si Holanda dhe Luksemburgu, kanë zgjedhur norma të moderuara të reduktuara, përkatësisht 9% dhe 3%.

Ndryshe nga Bashkimi Europian, ku Shqipëria synon të anëtarësohet, vendi ynë dallohet për mungesën e një skeme që ndikon drejtpërdrejt në koston e jetesës, sidomos për shtresat më të ndjeshme të popullsisë.

Shqipëria është ndër të vetmet vende që nuk aplikon normë të reduktuar për ushqimet, duke ndikuar negativisht në fuqinë blerëse.

Në të shkuarën ka pasur shpesh propozime për vendosjen e një TVSH-je të reduktuar për produktet ushqimore bazë, por argumenti kryesor kundër ka qenë rënia e të ardhurave në buxhet dhe frika nga abuzimet në zinxhirin e furnizimit.

Megjithatë, ekspertët vlerësojnë se një sistem me dy norma (standarde dhe e reduktuar) jo vetëm që është i zbatueshëm, por edhe i domosdoshëm për të garantuar drejtësi sociale dhe mbrojtje të konsumatorit.

Varësi e lartë nga importet

Çmimet e larta të ushqimeve në vendin tonë më së shumti diktohen nga baza e ulët e prodhimit dhe varësia nga importet. Në vitin 2024 importet e ushqimeve ishin 2.7 herë më të larta se eksportet.

Rënia e prodhimit në sektorin bujqësor në njërën anë dhe në tjetrën rritja e numrit të konsumatorëve nga turistët po rizgjojnë kanalet e importit të ushqimeve.

Në vitin 2024, importet e ushqimeve në sasi shënuan rritje me 13%, ndërsa në vlerë, me 6.6.%

Të dhënat zyrtare nga tregtia e jashtme tregojnë se nga viti 2006 deri në 2024, Shqipëria ka shënuar rritje të dukshme të importeve të ushqimeve në vlerë monetare, ndërkohë që sasia në ton shënoi rritje më të moderuar.

Të dhënat tregojnë një tendencë të qartë drejt rritjes së kostos së importeve ushqimore, duke reflektuar ndryshime në çmime. Importet e ushqimeve në vendin tonë kanë pasur rritje të fortë, sidomos pas pandemisë.

Në vitin 2024, importet e ushqimeve arritën pikën më të lartë historike, mbi 1.300.000 tonë, duke treguar rritje të qartë pas stabilitetit shumëvjeçar.

Ndërkohë, vlera e importeve ushqimore shfaq një rritje të qëndrueshme që nga viti 2006, kur ishte nën 50 miliardë lekë.

Deri në vitin 2021, ajo arrin mbi 100 miliardë lekë, ndërsa në vitin 2024 kapërcen kufirin e 160 miliardë lekëve, mbi 3.5 herë krahasuar me 2006.

Kjo ecuri tregon se, edhe pse vëllimi në sasi nuk ka ndjekur të njëjtin trend, shqiptarët paguajnë shumë më tepër për ushqimet që importohen, edhe pse forcimi i Lekut nuk e mbështet këtë fenomen.

Në tre vitet e fundit, Leku është forcuar me rreth 20% ndaj Euros, gjë që duhet të kishte ndikuar edhe në uljen e vlerës së importeve.

Të dhënat zyrtare tregojnë se vendi ynë po importon sasi të ngjashme, por me kosto gjithnjë e më të lartë.

Kostot e larta të transportit dhe logjistika, një tjetër arsye

“Çmimet e larta të ushqimeve në Shqipëri disfavorizohen nga kostot e larta të transportit dhe logjistika e përshtatshme. Kostot e transportit për 1 ton ushqime janë rreth 100 euro”, – tha zonja Babameto. Aktualisht, çmimi i naftës në Shqipëri është ndër më të lartët në Europë.

Një litër naftë kushton 1.76 euro, dukshëm më i lartë se në vendet e rajonit si Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Mali i Zi, ku çmimet e karburantit janë më të ulëta së paku 30%.

Në Bashkimit Europian, çmimet e naftës variojnë, por mesatarja është më e ulët se ajo në Shqipëri. Qeveria jonë aplikon taksa më të larta mbi karburantet, të cilat rrisin çmimin final për konsumatorin.

Shqipëria ka gjithashtu deficit në logjistikë. Nuk ka hekurudha funksionale. Tregu dominohet nga kompani të vogla transporti dhe ka kapacitete të dobëta magazinimi profesional.

Ekonomistët përllogarisin se kostot e transportit përbëjnë deri në 15–25% të çmimit final të disa produkteve ushqimore, sidomos të frutave, perimeve, mishit dhe produkteve të freskëta.

Treg i vogël dhe spekulim i lartë

Duke qenë një treg i vogël, shumë kategori produktesh importohen dhe shpërndahen nga pak kompani, çka krijon monopole ose oligopole që vendosin çmime të larta. Supermarketet e mëdha shpesh nuk kanë presion konkurrues të mjaftueshëm për t’i ulur çmimet.

Shqipëria importon rreth 80-90% të produkteve ushqimore të përpunuara, ndryshe nga vendet me bujqësi të zhvilluar. Kjo sjell kosto më të larta për shkak të transportit, taksave doganore etj.

Gjatë periudhave të krizës, si pandemia e COVID-19 dhe lufta në Ukrainë, është vërejtur një rritje e çmimeve të produkteve bazë në Shqipëri me ritme mbi 13% për ushqimet.

Fondi Monetar vërejti se në vendet e rajonit dhe sidomos në Shqipëri kishte elemente të spekulimit me çmimet e ushqimeve.

Në mungesë të mekanizmave efektivë të kontrollit dhe monitorimit nga autoritetet përkatëse, çmimet e larta mbahen në mënyrë spekulative.

Sipas të dhënave zyrtare në vitin 2024 janë importuar nga jashtë rreth 1,3 milionë kilogram ushqim me vlerë 156 miliardë lekë. Një kilogram nga grupi “ushqim, pije, duhan” kushtoi 120.8 lekë në vitin 2024 nga 129.8 lekë në vitin 2023, me rënie rreth 7%.

Në raport me vitin 2022, çmimi i një kilogrami ushqim dhe pije ka ranë mesatarisht me 17%.

Në anën tjetër, në vitin 2024, inflacioni i grupit ushqim, pije, duhan shënoi rritje me 2.7%. Importet janë përbërësi kryesor i inflacionit, pasi Shqipëria e ka të bazuar konsumin në import.

Mirëpo tregu vendas me pakicë nuk po tregohet elastik ndaj ndryshimeve të çmimeve në tregjet ndërkombëtar, duke mos përcjellë uljen e çmimeve dhe fitimet nga kursi i këmbimit.

Importuesit dhe distributorët e ushqimeve kanë pohuar, se po përballen me rritjen e kostove të brendshme për shkak të mungesës së fuqisë punëtore që i ka detyruar të rrisin pagat.

Çmimet e larta të ushqimeve, marrin 40% të buxhetit të familjeve

Sipas të dhënave të INSTAT, për vitin 2023, një familje shqiptare me mesatarisht 3.7 anëtarë shpenzoi rreth 91,675 lekë në muaj, nga të cilat 36,349 lekë (39.6%) ishin për ushqime dhe pije joalkoolike.

Kjo përqindje është ndër më të lartat në Europë, duke reflektuar se shqiptarët çojnë gjysmën e të ardhurave të tyre për ushqim. Në BE familjet shpenzojnë rreth 13% të buxhetit për ushqime.

Shpenzimet e larta për ushqime gjithashtu lidhen me të ardhurat e ulëta. Shqipëria ka fuqi blerëse sa 34% e BE-së, ndërsa pagat janë rreth 30% më të ulëta se Rajoni.

Kur të ardhurat janë të ulëta, një pjesë më e madhe e tyre shkon për mallra bazë, si ushqimet, që janë të domosdoshme për mbijetesë. Në vendet me të ardhura më të larta, familjet kanë mundësi të shpenzojnë për argëtim, edukim, udhëtime etj., duke ulur përqindjen që zë ushqimi në totalin e shpenzimeve.

Shqipëria ka qenë ndër vendet me inflacion më të lartë për produktet ushqimore pas krizave globale (COVID-19, lufta në Ukrainë), duke rritur më tej peshën e tyre në buxhet.

Nga ana tjetër, ndihma ekonomike dhe mbështetja për familjet me të ardhura të ulëta në raport me PBB kanë pësuar ulje vitet e fundit.

Në vitin 2024, fondet për shpenzimet për ndihmën ekonomike arritën vetëm 1,1% e PBB-së, dukshëm më pak se 1.6% në vitin 2014.

Rënia e vazhdueshme e shpenzimeve buxhetore në raport me PBB-në për shtresat në nevojë vjen në një kohë kur kostot e jetesës, të tilla si çmimet e ushqimeve, qirasë, transportit etj., janë rritur ndjeshëm, duke goditur më fort shtresat në nevojë.

Ndërkohë Shqipëria ka zyrtarisht 42% të popullsisë në rrezik të varfërisë.

ImageImage

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pritet nga Perandori i Japoni

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është pritur në një takim zyrtar nga Perandori i Japonisë, një ngjarje që shënon një moment të rëndësishëm në marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve.

Në një postim në Facebook, Osmani theksoi rëndësinë e këtij takimi duke e cilësuar atë si një nder të veçantë. Ajo theksoi se lidhjet ndërmjet Kosovës dhe Japonisë janë ndërtuar mbi baza të forta të respektit, besimit dhe vlerave të përbashkëta.

“Miqësia e thellë me Japoninë dhe marrëdhëniet e veçanta ndërmjet dy shteteve tona janë dëshmi e një partneriteti që është zhvilluar ndër vite mbi baza të qëndrueshme dhe vlera të përbashkëta,” shkroi Presidentja Osmani.

Ajo shtoi gjithashtu se populli i Kosovës mbetet thellësisht mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme që Japonia ka ofruar ndër vite në fusha të ndryshme të zhvillimit dhe stabilitetit.

Takimi me Perandorin konsiderohet një simbolikë e rëndësishme për marrëdhëniet diplomatike mes Kosovës dhe Japonisë, të cilat kanë njohur përparim të qëndrueshëm që nga vendosja e tyre zyrtare.

Popullsia e Shqipërisë vijon tkurrjen, INSTAT: Emigracioni dhe rënia e lindshmërisë, faktorët kryesorë

Institut i Statistikave raporton për një tkurrje të popullsisë nga 1 Janari 2025.

Sipas INSTAT, popullsia shqiptare më 1 Janar 2025 rezultoi 2.36 milionë banorë duke pësuar rënie me 1.2% krahasuar me Janarin 2024. Rënia e popullsisë ka ardhur si rezultat i dy komponentëve kryesorë demografikë, së pari nga emigracioni dhe së dyti nga rënia e lindjeve.

Një tjetër tregues shqetësues gjithashtu është plakja e popullsisë. Mosha mediane është rritur nga 43,5 vjeç në 2024 në 44,3 vjeç në fillim të 2025, duke reflektuar uljen e lindshmërisë dhe emigrimin e të rinjve.

Instat2
Instat2

Kjo e ka çuar edhe raportin e varësisë së të moshuarve në 33,3%, në rritje nga 31,1% një vit më parë. Tirana është i vetmi qark me rritje të popullsisë, ndërsa Shkodra, Kukësi regjistrojnë rëniet më të mëdha. bw

 

Kosova e shënon 26-vjetorin e Çlirimit

Shqiptarë etnikë festojnë para një tanku britanik të NATO-s, tytën e të cilit e kanë zbukuruar me lule, ndërsa trupat e para të NATO-s vendosen në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, më 13 qershor 1999.

Radio Evropa e Lirë

Kosova e shënoi të enjten 26-vjetorin e Ditës së Lirisë apo Çlirimit të Kosovës, kur trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë më 12 qershor 1999 pas fushatës ajrore të aleancës veriatlantike kundër caqeve ushtarake e policore serbe në Kosovë dhe Serbi.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se në këtë ditë, 26 vjet më parë, “mbi tokën e djegur të Kosovës zbarkoi shpresa: 50 mijë ushtarë të NATO-s hynë në vendin tonë të stërvuajtur duke kontribuar në çlirimin e një populli që ishte shtypur me shekuj, e mbi një milion shqiptarë u kthyen në shtëpitë e tyre”.

“Luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ushtarët e NATO-s e kthyen tmerrin në guxim dhe dhimbjen në shpresë. Në atë ditë historike, ata sollën dritë pas një errësire të gjatë dhe e bënë lirinë realitet”, shkroi Osmani në Facebook.

Ambasada amerikane në Prishtinë shkroi në X se në këtë përvjetor, “ne nderojmë qëndresën e popullit të Kosovës dhe përkushtimin tonë të përbashkët për ta ndërtuar një të ardhme të bazuar në paqe, siguri dhe mirëqenie”.

“Sot bëhen 26 vjet që kur forcat e NATO-s hynë në Kosovë, duke sjellë shpresë, siguri dhe një rrugë drejt paqes. Data 12 qershor 1999 ishte pikë kthese – një moment që ua mundësoi familjeve të zhvendosura të kthehen dhe komuniteteve të fillojnë rindërtimin”, shkroi Ambasada amerikane.

Ambasada gjermane në Prishtinë, tha se vendosja e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë – KFOR, qershorin e ’99, solli stabilitet dhe siguri në Kosovë.

“Siç u shpreh Lord Robertson, ish-sekretar i Mbrojtjes i Britanisë dhe sekretar i Përgjithshëm i NATO-s:
‘Qëllimi ishte: forcat e Millosheviqit jashtë, NATO brenda dhe refugjatët të kthehen’. Misioni u përmbush”, shkroi Ambasada gjermane në Facebook.

Ajo tha se Gjermania mbetet një nga partnerët më të ngushtë të Kosovës, duke e mbështetur në rrugën e saj drejt një të ardhmeje të qëndrueshme dhe të begatë.

“Që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008, Kosova është shndërruar në një histori suksesi, duke u rritur në qëndrueshmëri, zhvillim dhe njohje ndërkombëtare”, tha ajo.

Të enjten u bënë 26 vjet nga dita kur forcat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë, duke shënuar fundin e luftës që la më shumë se 13.500 njerëz të vrarë, kryesisht shqiptarë

Më 12 qershor bëhen 26 vjet nga dita kur forcat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë, duke shënuar fundin e luftës që la më shumë se 13.500 njerëz të vrarë, kryesisht shqiptarë.

Fushata bombarduese e NATO-s, që zgjati 78 ditë, përfundoi më 10 qershor 1999, pas miratimit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), me kapitullimin e Serbisë dhe tërheqjen e forcave të saj nga Kosova.

Rezoluta 1244 e OKB-së në Kosovë vendosi administratën e përkohshme të OKB-së, UNMIK, për të administruar me vendin e shkatërruar nga lufta, për një periudhë transitore deri në ngritjen e kapaciteteve vendore dhe zgjidhjen e statusit të Kosovës.

Ajo, po ashtu, siguroi bazën ligjore për vendosjen e 50.000 trupave paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja për ta siguruar paqen në Kosovë, që njëherësh ishte edhe misioni më i madh paqeruajtës i Aleancës veriatlantike.

Vendosjes së trupave paqeruajtëse i parapriu Marrëveshja Teknike e Kumanovës, që parashihte tërheqjen e të gjitha forcave serbe nga Kosova dhe hyrjen e trupave ndërkombëtare të NATO-s në Kosovë.

Tërheqja e plotë e trupave serbe përfundoi më 20 qershor 1999.

Ushtarët e parë që u futën brenda territorit të Kosovës më 1999 ishin pjesëtarë të ushtrisë norvegjeze. Ata ishin pjesë forcave paqeruajtëse nga 36 vende të botës – prej të cilëve 30.000 ishin të shteteve të NATO-s – që erdhën në Kosovë.

Me hyrjen e trupave ndërkombëtare u mundësua kthimi në shtëpitë e tyre i më shumë se 800.000 refugjatëve, persona të zhvendosur brenda dhe jashtë Kosovës, të dëbuar nga shtëpitë e tyre, që po strehoheshin në kampe në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut, si dhe largimin e serbëve nga Kosova.

Nga ana tjetër, tërheqja e forcave serbe çoi në shpërnguljen e rreth 164.000 serbëve nga Kosova.

Ndërhyrja ushtarake e NATO-a ndodhi pas gati një dekade përpjekjesh diplomatike ndërkombëtare për t’i ndalur luftërat në ish-Jugosllavi. Në Kosovë, asaj i parapriu Konferenca e Rambujesë dhe e Parisit, ku Serbia refuzoi kompromisin që të ndalte dhunën e forcave të saj në Kosovë.

Në luftën e viteve 1998-’99 janë vrarë më shumë se 13.000 persona dhe janë zhdukur më shumë se 6.000 persona.

Qindra shqiptarë të vrarë nga Kosova janë gjetur në varreza masive në Serbi. Trupat e tyre janë bartur nga forcat serbe me qëllim që të fshihen krimet.

Udhëheqësit politikë dhe ushtarakë të Serbisë janë arrestuar, gjykuar dhe dënuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës për ish-Jugosllavi për krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë.

Ndër ta ishte edhe Sllobodan Millosheviqi, i cili vdiq në burg pa arritur të dënohet për përgjegjësinë në urdhërimin e krimeve të luftës në Kosovë.

Sipas të dhënave, më shumë se 1.600 persona konsiderohen ende të pagjetur.

Njëzetegjashtë vjet pas hyrjes në Kosovë, numri i trupave të KFOR-it është zvogëluar dhe aktualisht në vend janë mbi 4 mijë trupa nga 28 shtete të botës.

 

 


Send this to a friend