VOAL

VOAL

Tiranë: Gazetarët e pambrojtur dhe kufizimet e lirisë së shtypit, në një tryezë me BE-në

Ilirian Agolli

Në Tiranë, përfaqësues të gazetarëve diskutuan sot në një tryezë me diplomatë të Bashkimit Europian mbi rreziqet dhe presionet në punën e tyre.

Gazetarët pohuan se janë të pambrojtur gjatë veprimtarisë së tyre dhe se kufizimet e shumta prej autoriteteve nxitin auto-censurën.

Komisioni Europian theksoi në raportin vjetor se në Shqipëri ekzistojnë ende sulmet verbale, fushatat shpifëse dhe kërcënimet kundër gazetarëve.

Qendra Res Publica organizoi sot, së bashku me Këshillin e Europës dhe Bashkimin Europian, një diskutim publik mbi Sigurinë dhe mbrojtjen e gazetarëve shqiptarë.

Në tryezën e rrumbullakët morën pjesë gazetarë, gjyqtarë, diplomatë dhe përfaqësues nga organizatat e shoqërisë civile, për të diskutuar sfidat kryesore në përpjekjet për të mbrojtur gazetarët shqiptarë në punën e tyre.

Përfaqësuesja e Qendrës Europiane për Liri të Medias dhe Shtypit, me qendër në Lajpcig të Gjermanisë, Flutura Kusari, thotë se gjendja e gazetarëve në Shqipëri është vërtet e keqe dhe një nga më të rëndat në Europë.

“Arsyeja pse ne vazhdojmë ta përsëritim se gjendja është e keqe, është për shkak se nuk ka vullnet politik për t’u përmirësuar situate e gazetarëve. Po flasim në një shtet si Shqipëria, ku gazetarët nuk janë të lirë që të raportojnë. Shumica e gazetarëve, me ndonjë përjashtim të vogël, nuk kanë të drejtë të vendosin se çfarë është në interes të publikut dhe çfarë jo. Pra, ata kanë një vetëcensurë për shkak të kushteve në të cilat jetojnë. Gazetarët jo vetëm që nuk kanë kontrata, por edhe ata që kanë, nuk kanë qasje në ato kontrata. Paguhen cash, nuk kanë qasje në informacione dhe kanë një mbyllje hermetike të institucioneve. Në takime si sot ne e dokumentojmë se çfarë po ndodh, por për aq kohë sa nuk ka vullnet politik nga Partia Socialiste në këtë rast që të përmirësohet situata, do të vazhdojmë të kemi një situatë të rënduar dhe një nga më problematiket në kontinentin e Europës. Jo më keq se Turqia, Polonia, Azerbajxhani, por është jashtëzakonisht të rënduar” – thotë zonja Kusari.

Shqetësimit të gazetarëve shqiptarë iu bashkua përsëri sot ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca, i cili theksoi se asnjë gazetar nuk duhet të të dëmtohet për shkak të punës që bën, se ata duhet të ndihen të sigurt për të punuar, dhe se pa lirinë e medias nuk ka shoqëri të lira dhe demokratike.

Ambasadori Soreca tha se liria e shprehjes dhe e medias është një pikë e rëndësishme në marrëdhëniet e BE-së me vendet kandidate si Shqipëria, dhe një standard kyç me të cilin BE-ja vlerëson përparimin e vendeve kandidate drejt anëtarësimit.

“Raporti vjetor i Komisionit Europian për Shqipërinë për vitin 2021 vëren se atmosfera e sulmeve verbale, fushatat shpifëse dhe akte e kërcënimit kundër gazetarëve ekzistojnë ende madje deri ditët e fundit, – thotë ambasadori Soreca. Raporti theksoi se për asnjë nga sulmet e raportuara kundër gazetarëve vitin e kaluar nuk pati dënim të formës së prerë, kur përkundrazi nevojitet tolerancë zero ndaj sulmeve kundër medias. Ai këmbënguli te vetërregullimi në mediat online dhe theksoi se parlamenti dhe qeveria i kanë kanë konfirmuar BE-së se nuk kanë asnjë qëllim për të vazhduar me diskutimin dhe miratimin e të ashtuquajturit projektligj për median. “Nëse do të ketë ndonjë ndryshim në qëndrimin e tyre në të ardhmen, presim që parlamenti dhe qeveria të mbajnë angazhimin e tyre për të siguruar që çdo ndryshim i mundshëm i këtij projektligji të jetë në përputhje me Opinionin e Komisionit të Venecias dhe t’i nënshtrohet konsultimeve të duhura me palët e interesuara dhe me bashkësinë e mediave” – tha ambasadori Soreca.

Ndërsa reporterja investigative, Lindita Çela, pjesë e projektit për raportimin mbi krimin e Organizuar dhe Korrupsionin, thotë se këto tryeza me ndërkombëtarët janë shumë të rëndësishme për të mbrojtur gazetarët, sepse kanë mbetur të vetemet mënyra për të ngritur zërin dhe për t’I diskutuar problemet. Por pasi mbyllen këto tryeza me ndërkombëtarët askush nuk merret me problemet e vërteta që kanë gazetarët në Shqipëri.

“Pas këtyre takimeve, ne përfshihemi në punën tonë të përditshme dhe të gjitha këto vështirësi që renditen në tryeza të tilla përsëri ngelemi ne vet duke u përballur. Gazetaria në Shqipëri ka aktualisht problematika shumë të mëdha, që burojnë prej dëshirës që ka qeveria për të kontrolluar mediat. Duket se mediat janë krejtësisht nën kontrollin e qeverisë. Ne kemi edhe një vendim të qeverisë, i cili synon të krijojë një agjenci, dhe që ka nisur të quhet ministria e propagandës. Duket se gazetarët janë të lënë të vetëm në betejën e tyre” – thotë zonja Çela.

Vetërregulllimi i bashkësisë së gazetarëve vlerësohet si rruga më e mirë për rregulluar gjendjen kritike, por edhe këtu mbeten përsëri shumë cështje në dorë të qeverisë, thotë zonja Kusari, për sa kohë që mediat ndikohen dhe përdoren fuqishëm nga politika dhe bizneset, që i kanë ato nën pronësi.

“Nuk mund të presësh vetë-rregullim kur shumica e pronarëve të mediave janë biznesmenë, të cilët nuk e kanë median si biznes të parë, por i përdorin ato si mjet për të shantazhuar qeverinë, ose si i thonë këtu në Shqipëri për disa prej tyre, janë gjobëvënës. Nuk presësh në këto kushte që ata të rregullojnë vetveten. Shpresa e parë dhe më e madhe mbetet tek ndikimi ndërkombëtar, sepse Shqipëria aspiron të bëhet anëtare e Bashkimit Europian. Ende mund ta përdorim ndikimin ndërkombëtar në mënyrë që të përmirësohen gjërat. Ndonëse situata është e rënduar, ka gazetarë të mirë e të guximshëm, edhe pse në numër të vogël, dhe shpresa është tek ata” – thotë zonja Kusari e Qendrës Europiane për Lirinë e Medias dhe Shtypit.

Shqipëria është në prag në hapjes së negociatave për anëtarësim të plotë në Bashkimin Europian dhe nevojitet të përmbushë standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e gazetarëve, të shtojë masat mbrojtëse dhe një mjedis të sigurt pune për ta.

“Ku është zyra e Lulzim Bashës”, si u përplas Evi Kokalari me gazetarët: Më të frikshëm jeni ju tani! Jeta ime më e rëndësishme se lajmi që jepni ju

TIRANË

Përplasja me një mbështetëse të kreut të PD, duket se e ka vënë në qendër të vëmendjes anëtaren e Komisionit të Rithemelimit të PD-së, mbështetëse e Sali Berishës, Evi Kokalarin, e cila gjithashtu është ‘përplasur’ me gazetarët dhe operatorët që duke kryer detyrën e tyre, kanë vrapuar pas saj.

Në një video të publikuar Kokalari shihet në selinë e PD, duke provuar të hapë dyert për të gjetur zyrën e kreut të PD-së Lulzim Basha.

“Ku është zyra e Lulzim Bashës?”, pyet ajo, teksa gjithë kohës është në objektivin e kamerave. Ndërsa më pas ajo iu kërkon gazetarëve dhe operatorëve të bëjnë kujdes pasi po e vrasin. “Bëni shumë kujdes se po na vrisni se jemi femra, më të frikshëm jeni ju tashi”, thotë ajo.

Ndërkohë që një prej gazetarëve e ka pyetur nëse do iu kërkojë ndjesë gazetarëve që kanë transmetuar fjalën e saj dhe i quajti të frikshëm. Kokalari mohoi se i ka quajtur të frikshëm, duke shtuar se jeta e saj është më e rëndësishme se lajmi.

“Nuk thashë që janë të frikshëm. Në qoftë se unë rrëzohem dhe vritem ai është një problem shumë i madh, se jeta ime është pak më e rëndësishme se lajmi që do jepni ju, që të jemi të qartë”, tha Kokalari.

Qeveria pranon: Becchetti na ka marrë para në Itali, Angli dhe Francë, mund të bllokojë edhe Eurobondin

Çështja e humbur nga Shqipëria përballë biznesmenit Francesco Becchetti në Gjykatën e Arbitrazhit Ndërkombëtar mund të cenojë edhe besueshmërinë e Shqipërisë në tregjet financiare ndërkombëtare.

Ndër të tjera, qeveria nuk përjashton që Becchetti të mund të bllokojë edhe pagesat e lidhura me Eurobondet apo me instrumente të tjera të huamarrjes së jashtme.

Në prospektin e emetimit të Eurobondit që iu është paraqitur investitorëve ndërkombëtarë, qeveria është detyruar të bëjë një shënim të veçantë për këtë çështje. Shqipëria ka pranuar se në 2 prill 2021, një trupë e posaçme e Gjykatës së Arbitrazhit ka refuzuar kërkesën e Shqipërisë për të anuluar vendimin në favor të kompanive italiane, Hydro S.r.l. and Costruzioni S.r.l., dhe katër shtetasve italianë Francesco Becchetti, Mauro De Renzis, Stefania Grigolon dhe Liliana Condomitti.

Sipas qeverisë, shuma që duhet t’iu paguhet subjekteve të mësipërme është 99 milionë e 487 mijë euro, plus interesat. Në prospekt thuhet gjithashtu se përfituesit kanë nisur procedurat për njohjen dhe ekzekutimin e detyrimit në Shqipëri, Austri, Belgjikë, Angli, Itali dhe Holandë. Madje, qeveria shqiptare ka pranuar se Becchetti dhe përfituesit e tjerë kanë arritur të mbledhin një pjesë të shumës së fituar në disa shtete, duke përfshirë Anglinë, Francën dhe Italinë.

“Si me çdo çështje ligjore, nuk ka asnjë garanci se Qeveria do të jetë e suksesshme në kontestimin e procedurave të mbledhjes së detyrimit dhe shuma e përfituar nga pretendentët e mund të jetë edhe më e lartë se ajo që përmendet në dokument.

Nëse një vendim i formës së prerë për ekzekutimin e detyrimeve, është nxjerrë ose do të nxirret në ndonjë nga juridiksionet e përmendura, (ose në ndonjë juridiksion tjetër) dhe nëse një vendim i tillë ekzekutohet më pas, ai mund të ketë një efekt negativ në pozicionin financiar të qeverisë dhe të ndikojë negativisht në të ardhmen në vlerën e tregut të Eurobondeve. Edhe pse qeveria synon të kundërshtojë me forcë çdo procedurë të tillë, është e mundur që paditësit mund të kërkojnë gjithashtu të sekuestrojnë ose të fitojnë të drejta mbi të ardhurat e transaksioneve të Shqipërisë në tregjet e kapitalit, duke përfshirë të ardhurat nga Eurobondet, pagesat e planifikuara, ose borxhet e tjera të papaguara të jashtme që mund të ndikojnë në procesin e shlyerjes së Eurobondit ose të kenë një ndikim negativ material në çmimin ose tregtimin e Eurobondeve të Shqipërisë në tregun sekondar,” thuhet në prospektin e emetimit të Eurobondeve.

Qeveria shqiptare ka hezituar vazhdimisht të bëjë transparencë publike për këtë çështje dhe në përgjithësi informacionet kanë dalë nga vetë Becchetti ose nga burime të tjera. Por, në prospektin e Eurobondit, kjo çështje është trajtuar në mënyrë specifike, për të shmangur pasoja të mundshme ligjore dhe reputacionale në të ardhmen.

Çështja e Shqipërisë kundër biznesmenit italian Francesco Becchetti e ka zanafillën në vitin 2015, me mbylljen e televizionit Agon Channel dhe hapjen e procedimit penal ndaj tij me akuzat e evazionit fiskal dhe pastrimit të parave. Becchetti kundërshtoi akuzat dhe u shpreh se e gjithë çështja ndaj tij ishte e motivuar politikisht, për shkak të linjës editoriale të ndjekur nga Agon Channel ndaj qeverisë shqiptare. Ai hapi çështje kundër Shqipërisë në Gjykatën e Arbitrazhit Ndërkombëtar, duke fituar në ty dy shkallët e gjykimit. Sipas deklaratave të tij në prill të këtij viti, shuma totale që Shqipëria duhet t’i paguajë arrin në rreth 150 milionë euro./Monitor

Festat e fundvitit, Rama darkë në Elbasan me ambasadorët e akredituar në Shqipëri

Kryeministri Edi Rama ka ftuar në një darkë miqësore ambasadorët e akredituar në Shqipëri. Kreu i qeverisë ka zgjedhur Elbasanin që të darkojë me diplomatët në një darkë në kuadër të festave të fundvitit. Mes ambasadorëve është dhe diplomatja e SHBA-ve Yuri Kim.

Ndërkohë, përgjatë aksit të rrugës kombëtare Tiranë-Elbasan-Labinot Fushë që nga ora 18:00 ka pasur praninë të shumtë të forcave policore.

Për më tepër shihni pamjet e siguruara për BalkanWeb nga gazetari Fatmir Popja.

Fuga: Basha i paaftë për të zgjidhur krizën në PD, mjediset e partisë të jenë të hapura për anëtarët

Profesori i Komunikimit Artan Fuga, në një intervistë me Skype me moderatoren Sonila Meço në emisionin Task Force në Syri TV, foli për zhvillimet brenda PD-së.

Fuga theksoi se Basha është i paaftë që të zgjidhë krizën në PD, duke shtuar se mjediset e partisë duhet të jenë të hapura për anëtarët.

“Opozita është shumë e rëndësishme për shoqërinë. Opozita është pjesë e sistemit shtëtëror. Korridoret, zyrat dhe ambjentet e një partie janë të hapura për anëtarët e partisë, aq më tepër ish-drejtues, pak rëndësi ka është kundër apo jo. Partitë në Shqipëri problem është se partitë janë krijuar në mënyrë staliniste. Rruga e vetme e PD-së është që të demokratizohet, nuk dija gjë për shpalljen non grata të Berishës. Por kjo krizë e ardhur nga jashtë krijoi konjekturë të dytë, ajo tregoi sesa e paaftë është një parti për të zgjidhur problemet e veta.

Situata ishte e vështirë, problemi është te zgjidhja. Njëra është mënyra autoritare, opozita sot është në një situatë të rëndë krize. Lulzim Basha nuk menaxhoi dot siç duhet krizën. Aktorët politikë tek selia duhet të kenë kujdes, sepse shembulli të përhapet kudo në vend, në qytete, komuna e fshatra dhe situatat mund të jenë aspak të këndshme. Hapësirat e një partie janë të hapura edhe për artistët në Europë, e jo më për anëtarët e vet partisë.

Kam lexuar lajme që Basha ka takuar ambasadorë, unë nuk e marr si mbështetje, nuk pashë deklaratë dhe ishte veprim normal. Bashës ia dhanë partinë, ata që ia kanë dhënë partinë, kanë thënë se do ikim nga politika e me dorë të fortë, e Basha tani del e thotë se është për sistem ku partia drejtohet nga një njeri. Kur kemi një parti që ka vetëm një person që merr vendime, shkojmë drejt humbjes. Nuk e kuptoj Bashën kur thotë dua t’i jap fund dualizmit në parti”, deklaroi Fuga.

Berisha: Burracaku Basha, përgjegjësi personale për çdo provokim

Lideri historik i demokratëve, Sali Berisha ka reaguar pas deklaratave të deputetit Lulzim Basha në lidhje me denoncimet ndaj Lefter Kokës dhe çështjes së inceneratorëve.

Me një reagim në faqen ne Facebook, Berisha shkruan edhe për incidentin e ndodhur me gratë demokratë të Komisionit të Rithemelimit të PD-së.

Reagimi i plotë i Sali Berishës:

Deputeti Lulzim Basha nëpërmjet zëdhënëses së Çoles akuzoi sot Sali Berishën dhe Albana Vokshin se po tërheqin vëmendjen nga afera e incieneratorëve, vetëm për faktin se Albana Vokshi si kryetare e LDGSH shkoi në selinë e Partisë Demokratike për të zhvilluar një mbledhje rutinë, të drejtë të cilën ja kanë dhënë përfundimisht 5 mijë delegatët që i hapën rrugë rithemelimit të Partisë Demokratike.

Deputeti Basha për më tepër bëhet qesharak kur bën pyetjen retorike se përse nuk flet për aferën e inceneratorëve Sali Berisha apo ata që e shkarkuan më 11 dhjetor.

Sëpari, i kujtojmë deputetit Basha se Berisha ka qene nder me te paret qe ka denoncuar kete mega afere korruptive ne nje seri statusesh dhe deklaratash nga viti 2015 e ne vazhdim. Dita e sotme, pas 4 vitesh të shpërthimit të kësaj afere ka qenë nga ditët e pakta, për të mos thënë e vetmja, kur ai doli personalisht që të fliste për këtë aferë.

Edhe sot pas arrestimit te Terr Kokës, Berisha ka publikuar dy reagime te forta nder te cilat nje deklerate shteruese ne FB e tij ne te cilën fakton ne mënyre te pakundërshtueshme se Terr Koka meriton plotesisht arrestimin, por ai nuk eshte Koka e grupit te organizuar kriminal dhe dhe se Koka e aferes prej 430 milion euro te djegësave është Kreu i Meduzës se organizatës kriminale Edvin Rama i ndjekur nga Arben Ahmetaj, Don Agacio (te cilit deputeti Basha nuk i permend dot emrin) Lal Plehu, Bllako etj. I kujtojmë gjithashtu deputetit Basha se drejtues te departamentit për mjedisin në Partinë Demokratike, kane pritur më shumë se 2 vite me padi në dorë në derën e Bashës për ta bërë zyrtare këtë padi.

Por sa me lart nuk mund te largoje për asnjë moment vëmendjen dhe shqetësimin per sulmin verbal dhe fizik qe Lulzim Basha organizoi ndaj zonjave te LDG dhe Komisionit te Rithemelimit! Kjo me shume se cdo gje tregon respektin dhe fytyrën e vërtete te Lul Burracakut për figurën dhe rolin e zonjave ne Partine Demokratike! I bëjmë me dije burracakut Basha se do mbaje përgjegjësi personale ne përballje me mijëra demokrate, për çdo provokim apo incident qe njerëz te paguar prej tij do guxojnë te bëjnë ndaj anëtareve dhe drejtuesve te Partisë Demokratike.

Dhunë verbale në PD ndaj Albana Vokshit dhe Evi Kokalarit nga militantja e Bashës (video)

TIRANË

Sërish tension e kaos jashtë selisë së PD, ndërsa Albana Vokshi e Evi Kokalari u rikthyen sot në seli. Ndërsa fliste për mediat, një militante e PD, e njëjta që u shpaq në mbrojtje të Lulzim Bashës, ditën kur Sali Berisha e mbështetësit e tij hynë në seli, e akuzoi Kokalari si mashtruese.

“Sa rrugë ke bo? Kush të ka paguar ty? Sa rrugë ke bërë Amerikë-Shqipëri, për çfarë arsye mashtron, pse mashtron, mashtruese?”, iu drejtua një nga militantet Evi Kokalarit, e cila i kërkon mbeshtetëses mos e prekë me dorë.

“Kjo është fytyra e Lulzim Bashës”- u përgjigj Kokalari.

“Ik në Amerikë, kthehu”, iu përgjigj militantja.

Albana Vokshi: Ju e shikoni çfarë po përdor Lulzim Basha. Ta dini që vullnetin e demokratëve askush nuk e ndal dot. Kemi bërë vetëm mbledhjen e parë, do vijojmë për organizimin më të mirë.

Gazetarja-Bashës: Ju jeni i vetmi ministër i qeverisjes së PD që jeni proceduar për korrupsion

Gjatë konferencës me gazetarët, deputeti i PD-së Lulzim Basha është përballur me pyetjet e gazetarëve, në lidhje me korrupsionin për të cilën ai është akuzuar.

Gazetarja e RTSH-së, Anisa Kadesha duke i kujtuar deklaratën e mëparshme Bashës, u shpreh se në fakt, i vetmi ministër i qeverisjes së PD që është akuzuar për korrupsion.

‘Meqenëse i referoheni herë pas here, korrupsionit të qeverisjes së PD-së. Keni ndonjë emër konkret kush ka qenë i korruptuar, pasi me sa kujtohemi vetëm ju keni patur një dosje për korrupsion për Rrugën e Kombit, në cilësinë e ministrit të Transporteve’, u shpreh gazetarja.

Duke iu përgjigjur pyetjea, Basha u shpreh se ai kishte kërkuar që ti hiqej imuniteti, por gjykata e mbylli çështjen.

‘Ajo çështje e mori përgjigjen e vet, sepse vetë përgjigja e drejtësisë tregon se e gjitha ishte një sulm i keq organizuar politik, pasi askush nuk e di për çfarë u ngrit ajo akuzë.

Vendimi i gjykatës së lartë, i formës së prerë, konkludoi se prokuroria nuk arriti të ngrijë një akuzë të vërtetë, por unë u përballa’, deklaroi gjatë përgjigjes së tij, deputeti i PD-së Lulzim Basha. syri.net

Përgjigje për deklaratën e zëdhënësit të DASH ndaj kritikave të mia në adresë të ambasadores Kim – Nga Sali Berisha

 

Duke shprehur konsideratën time të lartë për Departamentin e Shtetit dhe zëdhënësin Ned Price dua të theksoj sa vijon:

Së pari në bindjen time kritikat nuk janë sulme, unë kam kritikuar qëndrime dhe deklarata të ambasadores së SHBA, të cilat nuk kanë qenë në përputhje në vlerësimin tim me ligjet e vendit dhe Konventën e Vjenës. Unë mendoj se interpretimi i kritikave si sulme nuk është e drejte pasi është formë e pastër bullizmi diplomatik.

Se dyti, populli shqiptar e do shumë popullin e madh mik amerikan dhe qeverinë e tij. Ato kanë bërë më shumë se kushdo tjetër për lirinë dhe sovranitetin e Shqipërisë dhe Kosovës.

Se treti, shqiptarët si komb i lirë sovran anëtar i NATO-s duan ti zgjedhin vetë në përputhje me ligjet e vendit dhe votën e tyre përfaqësuesit e tyre qoftë në Parlament apo dhe drejtimin e partive. Ata nuk presin nga askush dhe aq më pak nga përfaqësues të vendit që ka bërë më shumë për sovranitetin e tyre te ju diktojnë se cili deputet i zgjedhur prej tyre duhet të futet dhe cili nuk mund të hyjë në parlament as dhe që të angazhohen në lojë me kukulla në fushatë brenda partiake për të mbështetur një kandidat tashmë të braktisur për aferat e tij nga anëtarësia.

Së katërti, shqiptarët kanë vuajtur më shumë se çdo komb tjetër nga diktatura staliniste e diktatorit Enver Hoxha, i cili ndër të tjera i kërcënonte ata me shprehjen se bar do të hamë, por SHBA nuk do t’ju nënshtrohemi. Kështu që mendoj se përdorimi i kësaj shprehje të diktatorit Hoxha pikërisht nga përfaqësuesja e SHBA si kërcënim për anëtarët e Partisë Demokratike, të cilët 30 vite më parë përmbysën diktaturën hoxhiste është ofendim kolektiv i palejueshëm dhe kjo meriton një ndjesë publike.

Për njerëzit e lirë arroganca nuk është virtut.

Së pesti, shqiptarët janë të bindur se fuqia e SHBA qëndron para se gjithash në liritë që ju garantojnë kushtetuta dhe ligjet qytetarëve të këtij vendi të madh dhe frymëzohen nga ky shembull. Ata presin që përfaqësuesi i SHBA-së të inkurajojë lirinë e shprehjes, mendimit dhe mediave dhe jo kurrsesi t’ju kërkojë gazetarëve të censurojnë veprimtarinë politike të deputetëve apo politikanëve vendas.

Së gjashti, SHBA i kanë dhënë Shqipërisë një ndihmë tejet të çmuar në luftën kundër korrupsionit dhe në historinë 30-vjeçare të demokracisë asnjeri nuk ka luftuar sipas dokumenteve të pakontestueshme sa Sali Berisha korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri.

Tetë vite pas largimit të tij nga pushteti, Shqipëria sot thirret si narkoshteti i parë dhe i vetëm në Europë. Ajo sipas raporteve të DASH konsiderohet tani si qendër operacionale e organizatave kriminale të rajonit, Europës, Amerikës së Veriut dhe Amerikës së Jugut dhe Lindjes së Mesme. Kurse sipas raporteve të Bankës Botërore vendi im renditej në vitin 2020 i dyti në botë për sa i përket ryshfetit.

Por pavarësisht nga të gjitha këto, në një rast unik në histori, Sekretari Blinken i dezinformuar nga lobim korruptiv i Edi Ramës dhe protektorit të këtij të fundit multimilardierit George Soros ka shpallur më 19 maj 2021, Sali Berishën ‘person non grata’ për korrupsion domethënës.

Ky është një rast unik në historinë e botës që një person shpallet ‘non grata’ 8 vite pasi ka dhënë dorëheqjen nga çdo funksion drejtues dhe duke mos patur kurrë një akuzë të ngritur për korrupsion nga ndonjë institucion vendas apo i huaj, kundra tij apo familjes së tij dhe tre jave pasi partia e tij humbi zgjedhjet.

Lidhur me këtë çështje duke konsideruar këtë vendim kryekëput të pabaza dhe mirëfilltas si një hakmarrje politike të armiqve të mi dhe demokracisë shqiptare, Edi Rama e George Soros unë kam ngritur padi ndaj Sekretarit Blinken në Gjykatën e Parisit.

Prandaj ju ftoj për hir të transparencës të paraqisni në gjykatë ku unë kam ngritur padi për shpifje çdo fakt, provë apo dokument që ju apo cilido individ apo institucion mbi tokë disponon për të faktuar akuzën dhe vendimin tuaj absolutisht pa baza.

Se fundmi, ju siguroj i nderuar zoti Price se shqiptarët në tërësi dhe demokratët në veçanti presin krenar dhe thellësisht mirënjohës 100 vjetorin e marrëdhënieve midis dy kombeve dhe dy vendeve tona.

Ata mbeten të vendosur të japin kontributin e tyre edhe në 100 vitet që vijnë.

A ishte hetimi për inceneratorët i tradhtuar? Kush ishin dy njerëzit e afërt me një ish-ministër që shkuan në zyrën e Klodian Zotos para se ai të fshihej

TIRANË

“A ishte hetimi i tradhtuar, pasi dy nga personazhet kryesore të aferës së inceneratorëve nuk u arrestuan?”.

Kjo është pyetja pas operacionit të djeshëm të SPAK që çoi në pranga ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka, ndërsa u shpallën në kërkim Stela Gugallja dhe Klodian Zoto. Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se njerëz të afërt me një ish-ministër janë konstatuar në zyrën e biznesmenit Klodian Zoto, më pas ai e kyçi këtë zyrë dhe u largua.

“Pa asnjë dyshim arrestimi i një zyrtari të lartë, konkretisht ish-ministrit të Mjedisit Lefter Koka është një rezultat domethënës i SPAK megjithatë pyetjet vijojnë të ngelen. A ishte hetimi i tradhtuar, kjo për faktin se dy nga personazhet kryesorë, konkretisht Klodian Zoto dhe Stela Gugallja nuk u arrestuan, por edhe sepse ky hetim prej ditësh po bënte xhiron e institucioneve. Burimet bënë me dije se njerëz të afër me një ish-ministër janë konstatuar ditët e fundit në zyrën e biznesmenit Klodian Zoto, i cili është shpallur në kërkim tashmë mbi bazën e një urdhër arresti të firmosur nga SPAK dhe pas këtij momenti ai e kyçi këtë zyrë dhe u largua. Oficerët e Policisë Gjyqësore dhe Operacionale pranë Policisë së Shtetit ishin caktuar t’i vëzhgonin të dyshuarit Zoto dhe Gugallja në distancë nga frika se mos ata tjetërsonin dokumentet dhe provat dhe do të largoheshin, por askush nuk mund ta shpjegojë se si të dy arritën të zhdukeshin pa lënë asgjë gjurmë. Mbrëmjen e kaluar burime zyrtare të Policisë së Shtetit bënë me dije se kanë ushtruar kontroll në disa ambiente me shpresën për të arrestuar biznesmenin Klodian Zoto dhe Stela Gugalljan, por nuk kanë rënë në gjurmët e tyre. Kjo, sepse dyshimet janë që të paktën Klodian Zoto gjendet brenda territorit të Shqipërisë. Ndërkohë që ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka vijon të mbahet në qelitë e paraburgimit në Policinë e Tiranës. I vetmi që e ka takuar z. Koka është avokati i tij Fatmir Braka, i cili nuk ka pranuar të flasë për mediat, duke deklaruar se gjithçka që ai në ka në raport me aferën e inceneratorëve do ta thotë në gjykatë në momentin që z.Koka do të dalë para Gjykatës së Posaçme për t’u njohur me masën e sigurisë arrest me burg që ishte caktuar ndaj tij në mungesë”, raportoi Lala.

Ish-ministri Koka u arrestua ditën e djeshme mbi bazën e një urdhër-arresti të SPAK. Ai dyshohet për veprat penale të shpërdorimit të detyrës, korrupsionit dhe pastrimit të parave. Sipas të dhënave të deritanishme të SPAK rezulton që z.Koka ka kryer disa shkelje që kanë të bëjnë me shpalljen dhe lidhjen e kontratës për inceneratorin e Elbasanit, pra pa pasur një shpallje, por me procedurë të drejtpërdrejt. Gjithashtu thuhet sipas SPAK se ai ka injoruar të gjitha dokumentet standarde të Ministrisë së Financave dhe ajo çfarë është më e rënda lidhet me dyshimet për korrupsion të z. Koka sepse sipas SPAK në bashkëpunim Zoton dhe Gugalljan ai ka përfituar një shumë të madhe prej 3.5 mln eurosh përmes një skeme të krijimit të shoqërive fiktive. Konkretisht shoqëria që e ka përfituar koncesionin dhe ajo që e ka ndërtuar atë me ortakë Stela Gugalljan dhe Klodian Zoton kanë lëshuar fatura fiktive dhe paratë i janë dërguar disa kompanive që sipas SPAK janë njerëz të lidhur me ish-ministrin Koka.

“Në lidhje me këtë çështje janë duke u hetuar zyrtarë dhe ish-zyrtarë të tjerë të lartë për të cilët ende nuk ka një vendim final dhe një konkluzion nga ana e SPAK. Paralelisht ka dhe një tjetër hetim në Prokurorinë e Posaçme që lidhet me dy inceneratorët e tjerë, të Fierit dhe të Tiranës dhe nëse i shkohet deri në fund këtij hetimi mund të ketë të tjerë emra të politikës që mund të ndëshkohen dhe mund të provojnë shijen e hidhur të prangave”, raportoi gazetarja Lala.

Historia- Si e përdori Rama limonin e shtrydhur Lefter Koka

Në fillim të këtij shtatori, pak ditë para se të fillonte sesioni i ri parlamentar, shumëkush mbeti i çuditur kur dëgjoi se deputeti i sapo zgjedhur i PS-së, Lefter Koka kishte dhënë dorëheqjen. Kjo habi bëhej edhe më e madhe nga mungesa e arsyetimit të këtij akti në njoftimin që vetë Koka bëri në Facebook. Shprehja se “…është gjithmonë e vështirë të ndalesh një moment dhe të vlerësosh se kur është koha e duhur për të mbyllur një cikël,” nuk i thoshte asgjë kureshtarëve.

Por për ata që i njohin kulisat dhe prapaskenat e politikës nuk kishte asnjë mister. Lefter Kokën po e lëshonin ata që e kishin mbrojtur dhe përdorur, për ta hedhur në kthetrat e drejtësisë. Edi Rama ia kishte rrëmbyer atë Ilir Metës, e kishte përdorur për ta lënë LSI-në pa deputet në Durrës, e kishte bërë pjesë të listës përkrah me emrin e tij në këtë qytet, tani ia kishte hequr vështrimin dhe mbështetjen. Ashtu si me skenarin e arrestimit të zyrtarëve të uniformave të policisë, që u pushuan nga puna para se të prangoseshin edhe me Kokën u ndoq e njëjta linjë. Kryeministri që kontrollon gjithçka edhe në SPAK, e mënjanoi Kokën nga grupi parlamentar në mënyrë që kur të vinte ora e spektaklit me drejtësinë, ai dhe partia në pushtet të njolloseshin sa më pak.

Ky moment mbërriti tre muaj më pas dhe sot ish ministri, kryebashkiaku dhe deputeti 57 vjeçar akuzohet nga SPAK për veprat penale: “shpërdorim detyre”, “pastrim parash” dhe “korrupsion” në mega aferen e inceneratorëve.

Pak a shumë, në sferat e larta të politikës të gjithë e dinin se kjo do të ndodhte. Rreth një muaj para zgjedhjeve, edhe e hidhëruar që Koka e kishte tradhëtuar, shefja e LSI-së, Monika Kryemadhi e denoncoi atë në prokurorinë speciale për aferën e inceneratorëve. LSI e akuzoi Kokën si përfitues të 3.3 milionë eurove nga koncesionari i incineratorit të Elbasanit, një kontratë që u lidh nga vetë Koka si Ministër i Mjedisit.

Sipas denoncimit, ish ministri kishte ngritur një skemë kompanish fantazëm me të afërm të tij, ku këto lekë paguheshin nga kompanitë e incenerattorëve. Denoncimet e bëra me gojën e Kryemadhit shkuan edhe më tej. Sipas tyre, Lefter Koka si ish ministër i Mjedisit është vetëshpallur si autoriteti nënkontraktor që do të negocionte me kompaninë e inceneretaorit të Tiranës, ndërkohë që këtë tagër e ka vetëm Këshilli i Ministrave. Gjithashtu Koka nuk ka lënë gjurmë vetëm me këtë veprim. Ai dyshohet se ka gënjyer Këshillin e Ministrave duke nënshkruar me dorën e tij se ngritja e inceneratorit nuk do të kishte impakt mbi buxhetin e shtetit. Këtë deklarim ai e ka paraqitur edhe pranë Këshillit të Ministrave gjatë procedurës së miratimit të VKM për Dhënien e Bonusit prej 8% të pikëve shoqërisë “Integrated Energy BV”. Po Lefter Koka ka shkelur ligjin duke mos organizuar një garë ndërkombëtare me investitorë të huaj, sikurse kërkohet.

Natyrisht e gjithë kjo panoramë e zymtë nuk ka qenë e tillë vite më parë, kur Rama e falenderonte Lefter Kokën teksa me një ceremoni pompoze e inaguroi inceneratorin e parë të Elbasanit duke e shpërngulur gjithë qeverinë në kantierin e tij. “I jam mirënjohës ministrit të Mjedisit (Lefter Koka) dhe ministrit të Financave, që ndonëse gjirokastrit, e zgjidhi deri në fund qesen…,” tha Rama nga podiumi i përurimit në Prill 2017.

Dy vjet më pas, Lefter Koka do të bëhej edhe më i domosdoshëm. Kur e gjithë opozita dogji mandatet, i shantazhuar me nënshkrimet që pati hedhur për inceneratorët, Koka nuk pranoi ta linte parlamentin. Ai u bë një nga deputetët e perferuar të ambasadave perëndimore që i përshëndetën të gjithë ata që nuk shkuan pas interesave personale të liderëve që “për interesat e tyre personale minonin të ardhmen e vendit”.

Por Ramës, Lefter Koka nuk iu desh vetëm për të bërë rolin e opozitarit fallco. Për të gjithë është tashmë e njohur ajo video e kryeministrit me “Terin”, në të cilën, nën avujt e disa shisheve verë, ftonin dhe Nasip Naçon të braktiste LSI-në dhe t’i bashkohej fushatës zgjedhore të PS-së.

Ajo që u pa në ato imazhe vulgare dhe të neveritshme për këdo që ka një koncept normal për politikën, pas pak kohësh u bë realitet. Edhe Koka edhe Naço konkuruan me PS-në dhe arritën t’i heqin LSI-së dhe opozitës më së paku një mandat në Durrës dhe një mandat në Berat.

Dhe këtu misioni i Lefter Kokës mbaroi. Firmat e tij të dikurshme, që shërbyen për ta shantazhuar qoftë për të bërë opozitën fallco, qoftë për ta përdorur si rilindas në zgjedhje, tani mund t’i shpiheshin drejtësisë. Kujdesi i fundit duhej të ishte që pasi e përdorën si mish për top në garën elektorale, tani Koka as mos e njolloste PS. Ai u detyrua të japi dorëheqjen në shtator, tre muaj para se SPAK ta akuzonte për korrupsion dhe pastrim parash. Tani mbi të rëndojnë firmat që ka hedhur për shpënien përpara të aferës së inceneratorëve, një mega skandal për të cilin Edi Rama ka vënë të nënshkruajnë vetëm vartësit. Lapsi.al

Skema e korrupsionit- Bllokohen inceneratorët e Elbasanit dhe Fierit

Skandali i inceneratorëve që çoi në burg ish-ministrin e Mjedisit Lefter Kokën dhe për të cilin kërkohen nga policia Klodian Zoto dhe Stela Gugallja ka rrëzuar një nga projektet më të reklamuara të qeverisë Rama dhe që trajton mbetjet e qyteteve më të mëdha të vendit, Fierit dhe Elbasanit.

Skema e korrupsionit që zbuloi sot SPAK është vetëm njëra hallkë e zinxhirit, por që i ka dhënë mundësi prokurorisë të ndalë të gjithë projektin.

Ryshfeti për Lefter Kokën

Sipas SPAK, Lefter Koka pasi i kaloi Klodian Zotos koncensionin e inceneratorëve mori në formën e ryshfetit më shumë se 3.6 milion euro. Kjo u arrit përmes kompanive të të afërmve të Lefter Kokës, në formën e punimeve që kryheshin për inceneratorët pretendon SPAK.

“Janë pranuar fatura tatimore shitje dhe janë paguar detyrimet financiare për këto fatura tatimore për disa shoqëri tregtare, për punime që në të vërtetë nuk janë kryer nga këto shoqëri tregtare. Shoqëria “Albtek Energy” sh.p.k. ka deklaruar në librin e blerjes faturat tatimore të shitjeve nga këto shoqëri tregtare në total në vlerën 368.672.760 lekë (ose rreth 2.950.000 Euro). Shoqëria “Integrated Technology Services” sh.p.k. ka deklaruar në librin e blerjes faturat tatimore të shitjeve nga këto shoqëri tregtare në total në vlerën 91.963.141 lekë (ose rreth 735.000 Euro)” shkruhet në njoftimin e SPAK.

Paralizimi i inceneratorëve në Elbasan dhe Fier

SPAK njoftoi se ka vendosur sekuestro preventive mbi kompanitë në administrim të Stela Gugallja dhe Klodian Zoto, që kanë të bëjnë me inceneratorët në Elbasan dhe në Fier.

Inceneratori i Elbasanit dhe ai i Fierit zotërohen respektivisht nga kompanitë Albtek Energy me pronare Stela Gugallja dhe Integrated Technology ëaste Treatment Fier, ku 70 % e aksioneve zotërohen nga Klodian Zoto.

“Integrated Technology Services” është një kompani me kapital 100 mijë lekë, e themeluar në nëntor të vitit 2010 nga aksioneri i vetëm, Klodian Zoto-sipas të dhënave të depozituara në Qendrën Kombëtare të Bizneseve.

Edhe inceneratori i Tiranës, më i madhi dhe i kushtueshmi ndër të tre u fitua nga kompania Integrated Energy B.V me seli në Amsterdam të Holandës. Sipas Zërit të Amerikës në Tiranë përfaqësues i kompanisë u ekspozua sërish Klodian Zoto por më vonë ai dha dorëheqjen. Mbetet për t’u parë nëse impiantet e djegies së plehrave do të vazhdojnë të funksionojnë apo tashmë puna aty është bllokuar si pasojë e sekuestros së prokurorisë.

Arratisja e Klodian Zotos dhe Stela Gugalles

Klodian Zoto dhe Stela Gugallja nuk janë arrestuar deri më tani nga policia. Nuk dihet nëse kemi të bëjmë me dekonspirim të operacionit apo mosgjetja e këtyre dy personave është rastësi. Gjithsesi kur ka denoncuar aferën e inceneratorëve rreth një vit më parë. Lulzim Basha e kishte parashikuar arratisjen. Asokohe ai tha se një nga personat kyç të aferës, administratorja e kompanisë “Albtek-Energy”, Stela Gugallja ishte nën presion nga mafia dhe ajo mund të largohej nga vendi.

“Prej më shumë se një jave i kërkoj SPAK-ut të nisë hetimet për aferën e mafias së inceneratorëve. Një nga personat kyç për hetimin e inceneratorëve, është vënë nën presion nga mafia. Mafia e plehrave, presion mbi një prej personave kyç në skemën mafioze të inceneratorëve, Stela Gugallja. Nëse përgjegjësit e kësaj afere arratisen, përgjegjësia është e SPAK-ut. Paralajmëroj SPAK-un se nëse ndonjë prej të dyshuarve kryesorë në aferën e plehrave largohet, do të jetë përgjegjësia e SPAK”, shprehej Basha vitin e kaluar.

Në fakt ashtu ndodhi. Sot që SPAK kërkoi arrestimin, asnjë prej administratorëve të kompanive nuk është gjetur ende./Lapsi.al

Emërohet në SPAK prokurori që manipuloi hetimet për vrasjen e Pjerin Xhuvanit

Këshilli i Lartë i Prokurorisë emëroi në SPAK Alfred Shehun, ish-prokurorin e Elbasanit që u bë i famshëm pak ditë para zgjedhjeve të 25 Prillit, pasi gënjeu publikisht kur tha se në vendin e vrasjes së Pjerin Xhuvanit nuk u gjetën materiale zgjedhore. Gjatë konferencës për mediat, prokurori u pyet nëse ishin gjetur apo jo materiale zgjedhore në makinën e patronazhistit të Partisë Socialiste dhe ai e mohoi këtë.

Por manipulimit të prokurorit i doli boja disa ditë më pas, kur në sallën e gjyqit, u detyrua të pranojë se në makinën e Kelmend Xhaferrit (Kel Çamit një nga protagonistët e ngjarjes) ishin gjetur karta identiteti, lista dhe formularë patronazhistësh dhe një sasi eurosh.

Menjëherë në media u krahasua deklarata që dha prokurori i Elbasanit, Alfred Shehu në konferencë me gazetarët, me atë në sallën e gjyqit, pasi zgjedhjet kishin përfunduar. Në media u botuan edhe pjesë nga dosja hetimore që paraqiti në sallë prokurori për vrasjen e Xhuvanit, ku ishin përmendur materialet që kishin të bënin me shitblerjen e votës.

Vrasja e Xhuvanit ngërtheu në vetvete përplasjen më të fortë mes grupimeve politike para zgjedhjeve të 25 Prillit. Për ta përdorur në interes të fushatës u vu në punë e gjithë makineria e manipulimit të pushtetit.

Ngjarja implikoi jo vetëm blerësit e votave për Partinë Socialiste, jo vetëm kriminelë të përfshirë në fushatën e PS-së së Elbasanit, por edhe një ndërhyrje manipulative nga policia dhe prokuroria e qytetit.

Protagonist i padiskutueshëm ishte prokurori Alfred Shehu, i cili duke mohuar gjetjen e materialeve zgjedhore apo materialeve që kishin të bënin me shitblerjen e votës në vendngjarje,  i shërbeu socialistëve në pushtet për të fshehur shkakun e krimit, që ishte shitblerja e votave.

Menjëherë pasi kreu shërbimin ndaj socialistëve, karriera e Alfred Shehut njohu vetëm ngjitje.

Nuk kaloi as një muaj nga zgjedhjet dhe prokurori kaloi me sukses vetingun. Disa muaj më pas u ngrit në detyrë dhe u emërua në krye të prokurorisë së Sarandës. Pak muaj më pas, emri i tij u propozua për në SPAK.

Në përfundim të procedurës së vlerësimit, këtë të hënë, Këshilli i Lartë të Prokurorisë vendosi renditjen e tij në vendin e dytë me 211 pikë, duke pranuar propozimin për SPAK.

Promovimi është finalizuar me emërimin në Strukturën e Posaçme AntiKorrupsion, e njohur ndryshe si SPAK, që duhej të ishte ekipi elitë i organit të akuzës në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, por që gjithnjë e më shumë po i ngjan një seksioni të prokurorisë në shërbim të mazhorancës në pushtet./Lapsi.al

Të zhdukurit në diktaturë- Blloshmi përplaset me Stojanin: Flet pallavra si prokuror i komunizmit, mbron shtetin e Enver Hoxhës

Një konferencë triditore për zhdukjet me forcë dhe të pavullnetshme në kohën e diktaturës dhe të kaluarës totalitare organizuar nga OSBE në Tiranë, ka përplasur ish të përndjekurin politik Bedri Blloshmi me prokurorin Sokol Stojani, drejtor i koordinimit në Prokurorinë e Përgjithshme. Ndërsa prokurorë të huaj, gjyqtarë, diplomatë dhe organizata për të drejtat e njeriut, folën për detyrimet e shtetit shqiptar për kërkimin e të zhdukurve në diktaturë dhe mundësitë ligjore për kërkimin, Stojani, shpalosi pengesat.

Prokurori Sokol Stojani tha se: “Procesi penal në vetvete nuk është garanaci për gjetjen e personave. Janë aplikuar në thelb dy praktika pune, ajo e ndjekjes së procedurave administrative dhe ajo nëpërmjet procedimit penal. Anashkalohet Ministria e Brendshme si autoritet përgjegjës. Këto dy qëndrime kanë tërhequr zvarrë procesin e gjetjes dhe rikuperimit të trupave. Marrëveshja me ICMP(Komisioni Ndërkombëtar për të Zhdukurit) ka përcaktuar si lider Ministrinë e Brendshme dhe vendosja e prokurorisë nën drejtimin e kësaj të fundit në funksion të një procesi penal, do të krijonte një problem te natyrës kushtetuese, pasi kushtetuta e njeh prokurorinë si organ të përcaktuar prej saj të pavarur e më të lartë”.

Fjala e tij u ndërpre nga ish i dënuari politik, Bedri Blloshmi i cili i ju drejtua Stojanit:
“Kërko falje 6 mijë të pushkatuarve. Mos fol për Remzi Hoxhën fol për 6 mijë të pushkatuarit që i ka zhdukur shteti i Enver Hoxhës sepse ke deklaruar para dy muajsh se nuk i merr në hetim sepse i ka dënuar shteti i Enver Hoxhës. Është fyerje për popullin shqiptar të dëgjoj pallavrat tuaja këtu si prokuror i komunizmit. Ti s’dënon shtetin e Enver Hoxhës, ky është karakteri ligjor, ti e quan vendimin e shtetit Enver Hoxhës, që ka vrarë qytetarë të pafajshëm e quan të drejtë dhe nuk ke të drejtë të nisësh hetime.

Në anën tjetër ambasadorja e Shqipërisë në BE, Belgjikë dhe Luksemburg, ndërsa foli si anëtare e Komitetit të zhdukjeve me forcë dha shifra dhe mesazhe të qarta. “Sipas grupit të Punës të OKB-së që re ka vizituar Shqipërinë ne vitin 2015 ka përllogaritur se procesi (kërkimi, zhvarrimi e identifikimi) kërkon deri në 15 milionë euro”.

Konferenca është mbledhur nga OSBE për të gjetur rrugën institucionale dhe koordinimin mes aktorëve vendas e të huaj për gjetjen e eshtrave të të zhdukurve, rikthimin e dinjitetit të viktimave dhe respektimin e të drejtave të njeriut, sepse zhdukja e tyre, është krim që vazhdon. Shteti shqiptar në 3 dekada nuk ka arritur as të vërë para drejtësisë persekutorët as të bëjë drejtësi për viktimat duke zvarritur të drejtën e viktimave politike për varr.bw

‘Referendumi i së shtunës’- Komisioni i Rithemelimit organizon grupet e punës në gjithë degët e PD

Komisioni i përkohshëm i Rithemelimit të PD ka njoftuar se janë ndarë detyrat dhe grupet e punës në të gjitha degët e partisë për të implementuar realizimin e referendumit ditën e shtunë.

‘Të gjithë anëtarët e komisionit janë këtë javë në terren për të implementuar realizimin e referendumit ditën e shtunë, në bashkëpunim me strukturat e partisë në bazë’, shkruhet në postimin e Floriana Garos.

Postimi i plotë i Floriana Garos:

Komisioni i përkohshëm i Rithemelimit të PD u miratua në Kuvendin Kombëtar. Ky komision u mblodh të hënën në Selinë e PD për zbatimin dhe implementimin e vendimeve të kuvendit.

Ndër të tjera, zuri vend kryesor zbatimi i vendimit nr. 6 te Kuvendit për zhvillimin e referendumit me 18 dhjetor për ratifikimin e këtij vendimi.

Ky komision ndau detyrat dhe grupet e punës në gjithë degët e PD.

Të gjithë anëtarët e komisionit janë këtë javë në terren për të implementuar realizimin e referendumit ditën e shtunë, në bashkëpunim me strukturat e partisë në bazë.

Referendumi është një proces gjithëpërfshirës që ndodh për herë të parë nga një forcë politike në Shqipëri.

Ky është aplikimi i demokracisë direkte. Ne nivel qarqesh dhe degesh po organizohen grupet e punës ne nivel qarku dhe dege per te miremenaxhuar procesin e votimit nga anetaret e PD per ratifikimin e vendimit te Kuvendit Kombetar, shkarkimin e Lulzim Bashes si kryetar i PDSH. syri.net

‘Kam mbështetjen e 95% të demokratëve’- Ambasadori Bashës: Atëherë pse kërkon ndihmë?!

Kanë dalë detaje të reja nga takimi i deputetit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, me ambasadorët e SHBA, BE, Francës, Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe.

Burime të SYRI.net dhe SYRI TV kanë thënë se gjatë bisedës, Lulzim Basha, ju ka thënë diplomatëve të lartë se ai gëzon mbështetjen e 95% të demokratëve.

Por pikërisht në atë moment ka ndërhyrë njëri prej ambasadorëve, i cili i ka thënë se nëse është kështu, atëherë na ke thirrur kotë për ndihmë, kur ke gjithë këtë mbështetje.

‘Ambasadori e pyeti për mbështetjen e tij (të Bashës) brenda bazës së PD-së. Basha u përgjigj, se e ndjen që rreth 95% e anëtarëve e mbështesin. Pas kësaj ambasadori iu përgjigj, se në këtë rast duket se nuk ka asnjë problem dhe takimi ynë ndoshta nuk ka shumë kuptim’, – ka thënë burimi për ‘SYRI-n’.

Zyra e BE konfirmon për SYRI TV: Takimin me ambasadorët e kërkoi Basha

Disa prej ambasadorëve të vendeve kryesore të akredituara në Tiranë ishin sot në selinë blu me ftesë të Lulzim Bashës.

Një fakt të tillë e ka konfirmuar për SYRI TV zyra e BE në Tiranë.

‘Takimin me ambasadoret e ka kërkuar Basha’.

Në takimin e sotëm me Bashën kanë qenë ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim, ambasadori i BE-së Luigi Soreca, ambasadori i Gjermanisë, Peter Zingraf, ambasadorja e Francës, Elisabeth Barsacq, ambasadori i Britanisë, King-Smith dhe ambasadori i Italisë, Fabrizio Bucci.

Basha për mediat deklaroi se ‘takimi i sotëm me ambasadorët ishte për të djeshmen, të sotmen dhe të ardhmen’.

Peshëngritja në zi: Ndahet nga jeta kampioni dhe trajneri i shquar i peshëngritjes Ferid Berberi

TIRANE – Ferid Berberi, kampioni dhe ish-trajneri i shquar i peshëngritjes së Dinamos dhe ekipit kombëtar është ndarë sot nga jeta në moshën 75-vjeçare.

Ferid Berberi (lindur më 6 dhjetor 1946 në Tiranë, Shqipëri) theu 37 rekorde Kombëtare të peshëngritjes si sportist dhe ishte kampion kombëtar për 7 vjet nga 1961-1973.

Ai ishte i pari shqiptar që ngriti mbi 400 kg në tre stile.

 Si trajner i shquar ai ka përgatitur sportistë të shquar si  Pirro Dhima, Aleksander Kondo, Luan Shabani, Agron Haxhihyseni, Xhemal Qarri, Ardian Kokonozi dhe mjaft peshëngritës të tjerë.

Ferid Berberi ka punuar si mësues i edukimit fizik në gjimnazin “Sami Frashëri”,

pedagog në universitetin “Aleksandër Xhuvani”, si dhe studjues në departamentin e kërkimit të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes. Për 8 vite ai shërbeu si sekretar i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, nga  1992 deri në 2000.

Si Sekretar i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Ferid Berberi mori pjesë në Lojërat Olimpike 1996 në Atlanta dhe Lojërat Olimpike 2000 në Sidnei.

Ndër metodat e tij të stërvitjes ai i vinte rëndësi dietës dhe ushqyerjes së shëndetshme, si dhe theksimit të teknikave dhe disiplinës së duhur.  

Në vitin 2021 u nderua me dekoratën “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” nga Presidenti i Republikës Ilir Meta.

Sherri në market, ja kush është polici që vrau me pistoletë 29-vjeçarin Jurgen Duka

Është mësuar identiteti i autorit të krimit në Tiranë, ku pas të shtënave me armë mbeti i vdekur 29-vjeçari Jurgen Duka.

Gazetarja Doriana Bezat, raporton për “BalkanWeb” se autori është Arbër Sula, 27 vjeç banues në Sauk. Ky i fundit është punonjës policie, me detyrë agjent krimesh në DVP Dibër. Gjatë momentit të ngjarjes, mësohet se ai ka qenë jashtë shërbimi. Siç shihet nga pamjet e siguruara nga BalkanWeb, Sula dhe Duka, ndodhen pranë njëri-tjetrit në banakun e marketit.

Fillimisht, ata konfliktohen verbalisht së bashku, pasi Duka, kishte hyrë pa radhë për të paguar paratë te kasa. Ndërkohë, debatet verbale, në një moment degjenerojnë në konflikt fizik, e deri në përdorimin e armës nga Sula, që rezulton fatale për 29-vjeçarin Jurgen Duka.

Ai shihet teksa bie në tokë pa ndjenja, ndërsa personat që ndodheshin në market largohen me shpejtësi jashtë. Gazetarja Bezat, raporton se autori pas krimit është larguar me një mjet tip “Benz” dhe autoritetet po punojnë për kapjen e tij.

Dosja e inceneratorëve- SPAK arreston ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka

TIRANË

Arrestohet nga SPAK ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka. Sipas burimeve, bëhet fjalë për hetimin e nisur për çështjen e inceneratorëve, një kallëzim i bërë nga Lëvizja Socialiste për Integrim.

Koka, ka qenë Ministër i Mjedisit nga LSI në vitet 2013-2017, më pas deputet i PS, 2017-2021. Ai fitoi mandatin në 25 prill, por më pas hoqi dorë. Urdhër-arresti për të u firmos nga prokurorët Dritan Premci dhe Vladimir Mara. bw

VIDEO- Çfarë ndodhi dje në selinë e PD-së në 18 minuta

Një ditë më parë, Komisioni i Rithemelimit të PD u vendos në selinë blu.

Duke zbatuar vullnetin e anëtarësisë, e cila u shpreh me votë në Kuvendin e 11 dhjetorit, komisioni nisi punën.

Qëllimi do jetë ratifikimi me referendumin e anëtarësisë i vendimit për shkarkimin e Lulzim Bashës.

SYRI TV sjell pa koment atë që ndodhi një ditë më parë në selinë e demokratëve.

“Burri i deputetes së PS i solli skenën nga Italia në Air Albania”, Gjylameti reagon pas akuzave të Bashës: E mirëkuptoj gjendjen e vështirë në të cilën ndodhesh. Do shihemi në gjyq

TIRANË

Deputetja e PS-së Blerina Gjylameti ka reaguar sot pas akuzave të kryedemokratit Lulzim Basha, i cili tha dje se bashkëshorti i saj i ka sjellë nga Italia skenën Sali Berishës më 11 dhjetor nga Air Albania.

Gjylameti thotë se e mirëkupton gjendjen e vështirë në të cilën ndodhet kreu i PD, por se kjo nuk i justifikon halucinacionet duke e akuzuar për shpifje.

Ajo shkruan se kompania për të cilën foli Basha nuk ka asnjë lidhje me të, e me familjarët e saj e për këtë paralajmëron hedhjen në gjyq të kreut të PD.

POSTIMI I PLOTË

E mirëkuptoj gjendjen e vështirë psikologjike në të cilën ndodhesh në këto momente, por kjo nuk i justifikon në asnjë moment halucinacionet, aq më tepër kur je dhe shpifës recidivist.

Kompania që thua nuk ka asnjë lidhje me mua, e me familjarët e mi e për këtë bashkë do shihemi në gjyq me shpresën që nuk do i shpëtosh drejtësisë si çdo herë me justifikime qesharake…

Deklarata ime e para dy javëve me z. Alibeaj i referohet dhunimit, uzurpimit dhe thyerjes të çdo norme dhe ligji në fuqi duke keqpërdorur foltoren e parlamentit si edhe thirrjes së përsëritur për rikthimin në shinat e ligjshmërisë, pasi të kishte zgjidhur hallin e madh që ju kishte zënë për të treguar se kush është kryetari…

Sikleti që të ka rënë, nuk do të thotë se duhet të mashtrosh pa teklif e më pak të përfshish në farsën që ke ngritur tërë këto vite për të justifikuar humbjet, familjarët e mi apo Partinë Socialiste…

Lider nuk munde të bëhesh, por nëse të ka mbetur edhe pak dinjitet, bëhu burrë dhe përballu me drejtësinë.

Policia rrethoi PD, deputeti Noka i kërkon llogari Nanos: Kush e kërkoi?

Deputeti demokrat Flamur Noka i ka dërguar një shkresë kreut të Policisë së Shtetit, Gledis Nano në lidhje me lëvizjen e forcave speciale të policisë, ditën e shtunë.

Gjatë punimeve të Kuvendit të PD-së në ‘Air Albania’, qindra forca policie me mjete të blinduara rrethuan selinë e PD-së, pa asnjë shkak dhe arsye.

Në kërkesën për informacion, deputeti Noka kërkon të dijë se pse kanë lëvizur forcat e policisë, duke u përfshirë në një situatë të brendshme të një force politike.

Gjithashtu, Noka kërkon të dijë se kush institucion ka kërkuar përqendrimin e forcave të policisë pranë selisë së PD-së.

Dokumenti më poshtë:

Basha ndërron bravat e dyerve, përzë shoqatën ‘Dhjetor 90’ nga selia

Në selinë e Partisë Demokratike u kanë ndërruar bravat e dyerve per te mos lejuar funksionimin normal edhe të zyrave te Shoqatës së ish-Studentëve të Dhjetorit.

Këtë e ka bërë publik kreu i shoqatës “Dhjetor 90”, Bislim Ahmetaj, i cili deklaroi për mediat se u janë ndërruar bravat e dyerve.

Kryetari i ‘Grupimit ’90”, Bislim Ahmetaj:

Kisha thirrur Kryesinë e Grupit në zyrën tonë, në selinë e PD. Zyrë që e kemi prej 25 vitesh. Sot gjendemi para një ngjarje të ligë. Ne u futëm brenda dhe u mbyll dhe dera e brendshme. Na e mbyllën derën dhe na lanë në zyrën tonë. Bravën tonë nuk e kishin ndërruar, por bravat e tjera i kanë ndryshuar.

Është një diçka që e ul akoma më shumë vlerën dhe reputacionin që mund të ketë një njeri i zakonshëm, anëtari Lulzim Basha. U shndërrova me të në shkallë. Sapo u ngjita lart, dera na u mbyll. Para 10 ditësh ne kemi qenë për herë të fundit në zyrën tonë.

Nuk do të ndodhë asnjë konflikt. Vendos anëtarësia dhe nuk vendos Kryetari.

Zyrës tonë nuk i është ndërruar brava. Ama dy nga dyert e mëdha janë mbyllur dhe ne nuk kishim nga të dilnim. Për të folur këtu me ju u detyruam të shpërthenim një nga to.

Shqipëri, moti shkakton probleme

Tiranë

Moti i keq gjatë orëve të fundit ka shkaktuar përmbytje në disa zona të Shqipërisë dhe probleme në akse rrugore, ndërkohë për menaxhimin e situatës janë angazhuar edhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë, transmeton Anadolu Agnecy (AA).

Sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë, nga situata e motit të keq me shi dhe dëborë, Forcat e Armatosura nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile janë në gatishmëri për çdo nevojë.

“Intensiteti i reshjeve është shtuar shumë 24 orët e fundit. Shqetësuese është situata e krijuar për shkak të daljes nga shtrati të lumit Vjosa. Kjo ka shkaktuar përmbytje në fshatin Novoselë dhe në fshatin Ferras. Probleme ka sjellë edhe dalja e lumit Osum në fshatin Verrik në Berat, ndaj në bashkinë Dimal e Kuçovë janë evakuuar disa familje. Si pasojë e reshjeve të shumta të dëborës po ndiqet nga strukturat edhe situata në rrugën Bogë-Qafë Thorë dhe Peshkopi-Lurë”, theksohet në njoftim.

Ministria e Mbrojtjes u ka bërë thirrje banorëve ku ka probleme të bashkëpunojnë me autoritetet për evakuim nëse do të jetë e nevojshme.

Në lidhje më situatën nga moti i keq ka reaguar edhe ministri i mbrojtjes i Shqipërisë, Niko Peleshi, i cili në rrjetet sociale shkruan se efektivë të Forcave të Armatosura janë angazhuar prej orëve të para të ditës në ndihmë të banorëve.

“Po punohet me strukturat e emergjencave civile te qarkut të Vlorës e Fierit. Po ndiqet me vëmendje maksimale edhe situata në bashkitë e tjera, ku për shkak të reshjeve që vijojnë me intensitet të lartë ka bllokime rrugësh nga bora apo prurjet e shumta të lumenjve”, ka shkruar Peleshi.

Lubonja: Me Berishën mund të fitosh edhe duke qenë non grata

“Me Sali Berishën fiton edhe duke qenë non grata në SHBA”. 

Kështu shprehet analisti Fatos Lubonja duke komentuar debatin brenda Partisë Demokratike, ku sot Kuvendi Kombëtar shkarkoi Lulzim Bashën me 4446 vota të delegatëve.

Amerikanët gabuan me Berishën, tha Lubonja, duke shtuar se shqiptarët e kuptuan këtë çka ka sjellë rritjen e mbështetjes për ish-kryeministrin.

“Me Berishën mund të fitosh edhe duke qenë non-grata. Në këtë rast amerikanët me Berishën kanë gabuar dhe shqiptarët e kanë parë këtë. Ky regjim nuk rrëzohet me forma demokratike të pastra, por ka nevojë për frymë popullore që të shprehë zemërimin në formë masive”, u shpreh Lubonja për News 24.

Duke u ndalur te votimi i Kuvendit Kombëtar, Lubonja i bëri thirrje Bashës që të dorëzojë zyrën e PD.

“Ajo zgjidhet duke kontrolluar ata 4 mijë e 446 , në rast se janë të vërtetë duhet dorëzuar zyra nga Basha dhe kaq është e gjitha. Ne kemi 30 vjet që nuk bëjmë zgjedhje të lira e të ndershme. Unë besoj që ky regjim nuk e lëshon selinë e madhe. Basha është një reflektim i kësaj kulture. Me këtë kulturë që është krijuar këtu fiton ai që ka më shumë para, ai që blen vota që ka krimin të kesh edhe ambasadën amerikane me vete nuk është pak. Opozita duhet të kuptojë që ka gjithë këto kundërshtarë. Qëllimi final i Edi Ramës është që t’i shohë të gjithë barkas, tani shyqyr që dolën njerëz që nuk u trembën as nga ambasada amerikane, pavarësisht se ato mund të mos jenë dakord edhe me të kaluarën. Lirinë e meriton ai që shkon ditë për ditën në luftë, shqiptarët”.

Komisioni i Rithemelimit: Iku koha kur deputeti Basha bënte pazare me fatet e PD

Komisioni i Rithemelimit ka reaguar pas deklaratës së Lulzim Bashës nga selia e PD. 

Kuvendi Kombëtar shkarkoi sot Bashën me shumicë absolute, por që ish-kryetari i PD, pas mbledhjes së Kryesisë gjithashtu e shkarkuar, tha se nuk do të dilte nga zyra dhe paralajmëroi se nesër do të shkarkohet Edi Paloka nga kryetar i Këshillit Kombëtar bashkë me 11 kryetarë degësh lokale.

Përmes një deklarate, 29 anëtarët e Komisionit të Rithemelimit, thonë se koha kur deputeti Basha bënte pazare me fatet e PD ka marrë fund.

Komisioni i Rithemelimit shton se “4446 delegate te Kuvendit Kombetar te Partise Demokratike vendosen sot, te rimarrin ne dore fatet e Partise Demokratike, duke shkarkuar Bashën në një spektakël të vërtetë të demokracisë”. 

Deklarata
Koha kur deputeti Basha mund te bente pazar me fatet e Partise Demokratike ka marre fund. Ditet kur Partia sherbente si hipoteke per borxhet e kryetarit kane perfunduar! Ne nje dite historike, 4446 delegate te Kuvendit Kombetar te Partise Demokratike vendosen sot, te rimarrin ne dore fatet e Partise Demokratike duke shkarkuar Lulzim Bashen ne nje spektalel te vertete demokracie te ngjashem me standartet amerikane. 

Kuvendi i sotshem riafirmon vlerat euro atlantike te PD duke rikthyer ne piedestal voten e lire ne te parin kuvend ne historine e Shqiperise te thirrur nga anetaresia.
Komisioni i Rithemelimit i mandatuar nga kuvendi konsideron nul dhe qesharake cdo deshire te deputetit Basha per te thirrur Keshillin Kombetar, per te shkarkuar drejtuesin e ketij Keshilli apo per te marre masa displinore ndaj perfaqesuesve te mijera demokrateve qe me vote te lire dhe legjitime vendosen sot shkarkimin e tij! 

Komisioni u ben thirrje te gjithe anetareve te Keshillit Kombetar si dhe ish anetareve te kryesise te repektojne vullnetin e Kuvendit Kombetar si organi me i larte drejtues i Partise Demokratike. Komisioni fton te gjithe drejtuesit e PD te lexojne dhe respektojne vullnetin e shumices qe shkarkoi kryetarin dhe jo te deputetit Basha qe kerkon te shkarkoje shumicen! 

Sot eshte dita per t’u bashkuar dhe jo per te percare e “perjashtuar” partine per karriken e thyer te ish kryetarit!

Anëtarët e Komisionit të Rithemelimit: 

Agron Shehaj

Albana Vokshi

Aldo Bumçi

Arben Ristani

Belind Këllici

Blendi Himçi

Bujar Nishani

Çlirim Gjata

Edith Harxhi

Edi Paloka

Edmond Spaho

Eno Bozdo

Ervin Minarolli

Evi Kokalari

Flamur Noka

Genc Deromemaj

Genc Pollo

Gent Strazimiri

Rigels Muçollari

Ivi Kaso

Keltis Kruja

Klevis Balliu

Ledina Mandija

Luan Baçi

Lorenc Luka

Mimoza Hajdarmataj

Oerd Bylykbashi

Tritan Shehu

Sali Berisha

U rrethua nga policia, Këlliçi thirrje Ramës: Largoji, selia e PD-së nuk ka nevojë të mbrohet nga asnjë

Kryetari i Komisionit të përkohshëm të ngritur nga Kuvendit Kombëtar të PD Belind Këlliçi i bëri thirrje kryeministrit Edi Rama të largojë makinat e policisë nga selia e PD.

Ai tha se PD nuk ka nevojë të mbrohet me polici, por mjaftojnë dy rojet në hyrje të godinës. Ai tha se ky është një provokim pasi PD është e demokratëve dhe nuk duhet të mbrohet nga askush.

“Kam një thirrje drejtuar Edi Ramës. Jemi informuar që makina policie ndodhen rreth selisë së PD. PD e mbrojnë vetëm dy rojet Papi dhe Iliri.

I bëj me dije kryeministrit që nuk ka nevojë të mbrohet selia e PD. PD është e demokratëve dhe nuk ka nevojë të mbrohet nga askush”, tha ai.

Ibsen Elezi: Komisioni i Rithemelimit me sorosianë dhe spiunë të sigurimit të shtetit, emrat u zgjodhën pa garë

TIRANË

Ish-kandidati për kryetar të Partisë Demokratike, Ibsen Elezi është shprehur me kritika ndaj Kuvendit Kombëtar të zhvilluar në “Air Albania“ e thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha.

Ai u ndal tek ngritja e Komisionit të Rithemelimit të PD-së dhe lista prej 29 emrash në përbërje të saj që do të marrë përsipër drejtimin e partisë. Elezi deklaroi nga foltorja e Kuvendit Kombëtar, se zgjedhja e këtyre emrave duhej të bëhej përmes një procesi votimi.

“Unë nuk dua t’ja humb shijen e mirë këtij Kuvendi, si një Kuvend që ka mundësi që të sjellë një ndryshim të madh. Por një Kuvend që e nis zanafillën e punës së vetë nëpërmjet emërimeve që u bënë sot. U propozuan formalisht 30 vetë, pa asnjë garë e procedurë. Nga erdhën dhe si erdhën emrat. Është e rëndësishme që kur merr iniciativa politike si Kuvend, emrat kanë shumë rëndësi. Aty brenda listës me 29 emra gjen sorosianë dhe anti-sorosianë. 5 ose 6 i di unë. Gjen spiuna të sigurimit të shtetit. Gjen dhe burra të ndershëm. Ky konglomerat nga vjen, ku janë filtrat e zgjedhjes dhe kush e mori përgjegjësinë e kësaj zgjedhje.

Janë filtra të figurës morale të drejtuesit që zgjidhet në krye të PD-së. Nëse kemi marrë përgjegjësinë e madhe për të zhvilluar një proces të ndryshëm nga ajo që ishte më sot, këto janë gjëra të rëndësishme për tu marrë në konsideratë. Lulzim Basha e pati fajin? Patjetër, por Basha të gjitha këto shkelje dhe poshtërsi që janë përmendur, nuk i bëri vetëm, por shumicën e bëri me ju. E mbështetët. Shumë që folën këtu, kanë qenë mbështetësit më të mëdhenj të Bashës në 2013. Zgjedhjet e 13 qershorit ndikuan përqindjen fiktive” – tha Elezi, por pavarësisht këtyre kritikave, shprehet se Kuvendi i sotëm pritet të sjellë ndryshime në parti. bw

Kuvendi i PD: Referendum në 18 dhjetor për ratifikimin e vendimit të Kuvendit për shkarkimin e Bashës

Kuvendi i 11 dhjetorit në mbështetje të Sali Berishës ka vendosur organizimin në 18 dhjetor (pra të shtunën tjetër, kur Basha ka thirrur kuvendin e tij),  organizimin e një referendumi për shkarkimin e Lulzim Bashës. Motivacioni i këtij shkarkimi është për shkelje të statutit dhe marrje të vendimeve personale.

Belind Këlliçi ka bërë të ditur edhe procedurën që do të ndiqet. Fillimisht do të jetë Kuvendi Kombëtar që do të votojë me votë të fshehtë në mjediset e stadiumit kombëtar, shkarkimin e kryetarit.

Më pas pikërisht në ditën kur Basha ka thirrur kuvendin e tij e gjithë anëtarësia do të votojë për të njehsuar votimin e kongresit.

Kjo lëvizje që deri tani ishte mbajtur e fshehtë nga Berisha ka dy qëllime kryesore.

Së pari ajo e lë fatin e Bashës në dorë të anëtarësisë dhe jo të një pakice. Meqë Basha ishte zgjedhur me një anëtar një votë në verën e kaluar, ai do të shkarkohet po me të njëjtin parim.

Dhe e dyta, organizimi me urgjencë në 18 dhjetor i shkarkimit të tij bëhet me efektin e paramenduar për ta sfumuar edhe ligjërisht edhe politikisht nismën që ai ka marrë për të mbledhur një kuvend në datën 18.

Kur Basha të jetë me një grusht njerëzish në Pallatin e Kongreseve, anëtarësia e PD-së do të jetë duke votuar për fundin e tij politik.

Më parë kuvendi i PD kishte votuar hapur pra me ngritje dore edhe të nënkryetarëve të partisë, të Sekretarit të saj të përgjithshëm dhe të anëtarëve të kryesisë të zgjedhur jo sipas normave të statutit.

Për ti hequr çdo mundësi manipulimi të shkarkuarve ai ka ndryshuar edhe vulën e partisë me miratimin e nenit 8 në statutin e ri.  syri.net

Rama blindon Bashën, rrethon selinë e PD me qindra forca speciale

Dhjetëra furgonë të forcave speciale të policisë dhe qindra policë kanë rrethuar selinë e PD-së ku ende ndodhet Lulzim Basha.

Mjetet e policisë, të shoqëruara edhe nga makinat ujëhedhëse kanë ‘pushtuar’ zonën pranë selinë së PD-së.

Duket se Rama ka vendosur ti vije ne ndihme pengut te tij qe ta blindoje ate ne seline e PD.

Ende nuk dihet se pse është urdhëruar nxjerrja e forcave speciale në rrugë, ndërsa në ‘Air Albania’, po vazhdon Kuvendi i PD-së i thirrur nga delegatët. syri.net

Qindra shqiptaro-amerikanë drejt Kuvendit të 11 Dhjetorit në mbështetje të Sali Berishës

Qindra shqiptaro-amerikanë janë drejtuar drejt Shqipërisë në mbështetje të Kuvendit të 11 Dhjetorit të thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha.

Në autokolonë me flamurë të Shqipërisë, atë Amerikan dhe të Partisë Demorkatike, shqiptaro-amerikanët pritet të japin kontributin e tyre në një prej datave më historike të Partisë Demokratike dhe shoqërisë shqiptare.

Shembet tuneli ‘Delvinë – Kardhiq’, Rama e prezantoi me pompozitet në korrik

Deri tani nuk dihet sa mund të jetë dëmi i shkaktuar, ndërsa njëherësh nuk dihet edhe nëse shembja ka ndodhur vetëm në hyrje apo ka vazhduar edhe në brendësi të tunelit.

Kryeministri Edi Rama publikoi pamje nga momentet e hapjes së tunelit të Skërficës në rrugën Kardhiq-Delvinë në 31 korrik, ku tha se përfundimi i kësaj vepre infrastrukturore shkurton me 3 orë rrugën nga Tirana në Sarandë, por nga fotot e shkrepura nga vendi i ngjarjes, tregojnë se si hyrja e tunelit është mbuluar nga dherat. syri.net

“Partitë t’i zgjidhin problemet paqësisht, po i monitorojmë”, ambasadori gjerman: Shtetet demokratike kanë nevojë për një opozitë të fortë

Ambasadori gjerman në Tiranë, Peter Zingraf, jep një mesazh me rastin e Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, duke theksuar se Gjermania angazhohet t’i mbrojë këto të drejta në mbarë botën.

Sipas kryediplomatit gjerman, që të drejtat e njeriut të mund të garantohen për të gjithë, nevojitet një shtet i qendrueshëm, një kornizë politike që respekton llogaridhënien ndaj qytetareve dhe qytetarëve të saj, vepron me transparencë si dhe mbron të drejtat e tyre

“Të drejtat e njeriut janë universale dhe të panegociueshme. Ne angazhohemi për t‘i mbrojtur këto të drejta në mbarë botën. Kjo është një përgjegjësi, e cila del nga kapitulli i errët i historisë gjermane. Kjo përgjegjësi është sot një pjesë e vetëkuptueshme e politikës sonë të jashtme. Që të drejtat e njeriut të mund të garantohen për të gjithë, nevojitet një shtet i qendrueshëm, një kornizë politike që respekton llogaridhënien ndaj qytetareve dhe qytetarëve të saj, vepron me transparencë si dhe mbron të drejtat e tyre. Për këtë arsye ne angazhohemi bashkërisht me partnerët tanë evropianë, brenda dhe jashtë Bashkimit Evropian, për strukturat demokratike dhe luftën kundër korrupsionit. Por shtetet demokratike kanë nevojë dhe për një shoqëri të hapur dhe një opozitë të fortë si korrigjues. Prandaj ne jemi duke monitoruar me vëmendje situatën aktuale. Është e rëndësishme që të gjitha partitë të përfshihen në mënyrë konstruktive në punën parlamentare dhe të punojnë për zgjidhjen e problemeve paqësisht dhe brenda kuadrit të strukturave ligjore”, thekson Zingraf.

 

Çfarë do të ndodhë në Kuvendin e 11 Dhjetorit? Deputetja Vokshi jep detaje: Nga Air Albania në PD

Për të folur dhe për të treguar më shumë detaje në lidhej me ‘Foltoren ‘ e 11 dhjetorit ku 5000 delegatë të Partisë Demokratike kanë nënshkruar praninë e tyre ishte e ftuar në emisionin e mëngjësit ‘Kafe shqeto’ deputetja e kësaj partie Albana Vokshi.

Si fillim deputetja Vokshi u pyet nga moderatorët në lidhje me vizitën e Gabriel Escobarit ditën e djeshme në Tiranë, për të cilën u shpreh:

‘’Nuk besoj se do të kishte ndonjë ndikim në cilin do rast. Ishte një vizitë rajonale para se të vinte në Tiranë z. Eskobar ka ndaluar dhe në Shkup për më tepër se dje ishte dhe Dita Ndërkombëtare e luftës ndaj korrupsionit, pra kishte një ngjarje ndërkombëtare për të folur me aleatin tonë më të madh amerikën për luftën ndaj korrupsionit që ka qënë objektivi i qeverisë dhe në kohën që qeverisej nga PD dhe hapa të mëdha janë bërë në këtë drejtim në tetë vjeçarin e kryesuar nga Partia Demokratike me kryeministër z. Sali Berisha. Opozita ka takuar përfshirë edhe z. Basha kanë takuar vazhdimisht zyrtar të lartë mund të përmendim këtu, e mbani mend dhe foto me Trumpin , apo kanë takuar Palmerin. Por demokratët në fund të fundit nuk është se kanë përfituar ndonjë gjë direkte nga këto takime. Në fund të fundit këto lloj takime nuk është se sjellin vota, apo jo? Vizitat nuk janë përkthyer në vota reale ndaj puna siç ka qënë para vizitës së Escobarit po vazhdon për tu konkluduar nesër në orën dhjetë me Kuvendin më të madh ndonjëherë, me Kuvendin historik të Partisë Demokratike në Air Albania’’

Ndërsa pyetjes se si ajo i ka përjetuar këto tetë vite në Partinë Demokratike, znj. Vokshi tha:

‘Unë kam qënë pjesmarrëse të diskutimeve ose të mbledhjeve të grupit parlamantar . Mund t’ju konfirmoj që duke filluar që nga futja në çadër i cili ishte një vendim i marrrë pa transparencë , apo dalja nga çadra, apo lënia e mandateve, pavarësisht se është bërë një diskutim i gjatë në grupin parlamentar, por ishte marrë vendimarrja nga z.Basha ditë më parë ishte lançuar në media. Dhe si kryetar i Partisë Demokratike ai i kishte marë vendimin që do liheshin mandatet dhe mbasi e ka bërë fakt të kryer më tej është mbledhur grupi parlamentar në të cilin dua t’ju informojë edhe njëherë që grupi parlamentar ka qënë uniform për lënien ne mandateve përveç z.Berisha i cili theksoi me shqetësimin më të madh se nëse merret kjo masë ekstreme, lënia e mandateve ka ndodhur vetëm njeherë në Itali në vitin 1923 nga opozita italiane , ndaj tha se që duhet të sigurohemi që nëse merret ky vendim ekstrem duhe të vazhdohet me protesta dhe me aksione të forta opozitare. Por gjithësesi ishte marrë vendimi para se të shkonim të bënim mbledhje në grupin parlamentar. Po ashtu dhe për mospjesmarrjen në pushtetin lokal e kështu me radhë nuk ka pasur transparencë në vendimmarrje, nuk ka pasur koligjialitet në vendimmarrje, shpesh herë janë bërë thjesht fakte të kryera, pasojat e të cilave ne tashmë po i shohim. Dalja nga parlamenti ka rezultuar që ishte një nga vendimet më të këqia të opozitës sepse doli jashtë çdo institucioni, apo mospjesmarrja në zgjedhjet lokale, pra janë vendime të cilat jo ne që jemi në kryesi apo në grupin parlamentar të Partisë Demokratike, por demokratët e thjeshtë ato që na kanë mbështetur që në krijimin e Partisë Demokratike deri më sot kanë më shumë se tetë vite tashmë që i vuajnë .

Znj. Vokshi iu përgjigj dhe pyetjes në lidhje me mediat të cilat janë pro Edi Ramës por që së fundmi kanë dalë në mbrotje të kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Bashës, duke u shprehur ndër të tjera se për këto media e rëndësishme është të mos kenë një opozitë të fortë.

‘Ishte e pritshme. Unë personalisht nuk kam asnjë çudi që mbështetet nga të gjithë analistët apo mediat që mbështesin kryeministrin Rama apo të majtët. Për këta analistë apo gazetar apo media të cilat i shërbejnë Edi Ramës e rëndësishme është të mos kenë një forcë politike pra një opozitë të fortë, një opozitë e cila do të çojë Partinë Demokratike në pushtet, ndaj janë bërë të gjithë bashkë edhe mesazhi shpeshherë është i rakorduar i gjithë atyrëve për të sulmuar ‘Foltoren’ për të hedhur akuza të pa baza, apo mashtrime apo fakenews kundrjet ‘Foltores’ apo mbështetësve të ‘Foltores’, por kjo nuk na prish asnjë punë , ne po vazhdojmë punën , demokratët janë të entuziazmuar. Për herë të parë pas tetë vjetësh ju është rikthyer optimizmi, është rikthyer shpresa që në datën 11 do të bëhet rithemelimi i Partisë Demokratike, ngritja e Partisë Demokratike për një Parti Demokratike më të fortë më të hapur dhe më të bashkuar’ është shprehur Vokshi.

Dori: A mund të na thoni më shumë në lidhje me mënyrën se si do të organizohet ku Kuvend në datën 11. Si do të jetë axhenda dhe çfarë pritet të dalë në fund të tij?

Vokshi: Do të jetë Kuvendi i demokratëve. Janë vetë anëtarët delegatët e Kuvendit Kombëtar të cilët kanë kërkuar tashmë kanë shkuar mbi 5000 numri i atyre që kanë firmosur por tashmë do të vijnë dhe shumë prej tyre që nuk kanë firmosur . Është bërë me dije që do të fillojë në orën 10 në stadiumin Air Albania. Ishte e pamundur në asnjë prej ambiente të tjera të futeshin qoftë delegatët mbi 5000 apo anëtarët, apo të ftuarit e Partisë Demokratike. Do të jenë delegatë e vendosur në një ambjentë krejt të ndarë nga pjesa tjetër e të ftuarëve. Do të ketë transparencë të plotë për numrin e delegatëve, për forumin për votimet që do bëhen atje, do të ketë votime shumë të rëndësishme të cilët do të ndërmerren nga vetë antarësia dhe së fundmi do të jetë më tej një hapësirë e lirë për çdo demokrat që do të dojë të marrë pjesë.

Z. Basha është në pikën më të ulët të mbështetjes brenda Partisë Demokratike. Përderida demokracia është votë ,unë e kam ftuar dhe e ftoj dhe njëherë z.Basha të vijë nesër në Kuvendin e thirrur nga delegatët. Le të përballet me votën e demokratëve. Demokracia është 50+1. Nëse z. Basha nuk e ka më këtë mbështetje 50+1 atëherë z.Basha duhet të ikë në shtëpi, ta lëshoj karrigen. Dhe mëqënëse më pyetët pak më parë nga Air Albania në Partinë Demokratike? Po në PD sepse do të jetë anëtarsia që do të vendosi. Është anëtarsia që ka marrë në dorë fatet e Partisë Demokratike. Është anëtarsia që do të votojë nesër ndryshimet statutore. Çdo gjë është bërë e bazuar në statut , çdo gjë do të bëhet e bazuar në statut dhe z. Basha do të jetë i detyruar që t’i bindet vullnetit të demokratëve.

Flavio: A është ky vullnet dhe në grupin parlamentar 50+1apo mendoni se do të keni një vështërsi me grupin parlamentar sigurisht të dalë nga lista Basha.

Vokshi: Nuk kemi asnjë vështirësi. Unë si kryetare e Lidhjes Demokratike të gruas sigurisht ndjek vullnetin, dëshirën e mbi 50 përqind të delegatëve të Lidhjes Demokratike të gruas si dhe do të jem prezent nesër në Kuvend. Nuk arrij t’i kuptoj ato kryetar apo kryetare apo dhe ato deputet që kanë marrë votat e demokratëve dhe sot janë pa demokratët, pa mbështetësit e tyre. Nuk i kuptoj dot ato kryetar që kanë 70, 80, 90% të anëtarsisë që kanë shkuar në ‘Foltore’ apo që kanë firmosur për të ardhur në Kuvendin e 11dhjetorit dhe nuk i ndjekin ato, pra nuk arrij t’i kuptoj këta deputet. Çfarë përfaqëson ky deputet në qoftëse nuk përfaqëson dëshirën dhe vullnetin e demokratëve të cilët kanë punuar, kanë bërë fushatën, janë përballur me krimin, janë përballur me bandat, janë përballur me shantazhet, kanë dalë nga puna nuk e kanë marrë ndihmën ekonomike, pra ku janë këta deputetë që kërkonin votat më përpara dhe ju premtonin qytetarëve që do ishin me ata në ditë të mira dhe në ditë të vështira. Por ka shpresë nesër do të rilindë, do të kemi një Parti Demokratike që në bazë të statutit të ri do ta forcojë vendimarrjen, vendimarrje reale jo atë virtual të Lulzim Bashës. Do të jenë anëtarët e Partisë Demokratike që do të vendosin më tej për drejtuesit e tyre qoftë lokal por qoftë dhe qëndror.

Publikon kartën e tij të delegatit! Futbollisti i njohur nesër në Kuvendin e PD

Duke vetpublikuar kartën e tij të delegatit , futbollisti i njohur Agustin Kola deklaron pjesmarrjen e tij me dëshirë të plotë në Kuvendin e 11 dhjetorit.

Në gjuhën e një futbollisti nesër premton shumë gola…. Se çfar do ta zbulojmë nesër, shkruan ai.

Escobar takon Bashën, “pres të shihemi në Uashington”

VOA

Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar shkeli sot në zyrën e kryetarit të Partisë Demokratkike, Lulzim Basha, në një moment kritik për këtë parti dhe vetë zotin Basha.

Vendimi i muajit maj i Departamentit amerikan të Shtetit, për t’i ndaluar hyrjen në SHBA, ish kryeministrit Sali Berisha e familjes së tij, duke e futur atë në listën e zyrtarëve “të përfshirë në korrupsion në nivel të lartë”, ishte një goditje e rëndë për forcën kryesore të opozitës. Ndërsa vendimi që pasoi në shtator, nga zoti Basha, për ta lënë ish kreun e partisë jashtë grupit parlamentar, nxiti një lëvizje të ashpër ndaj tij. Prej atij moment zoti Berisha ju drejtua bazës së partisë në një përpjekje për të rimarrë drejtimin e PD. Pasnesër ai dhe mbështetësit e tij kanë thirrur një Kuvend të demokratëve, i cili megjithatë nuk njihet nga zoti Basha, që po ashtu ka njoftuar mbajtjen e Kuvendit, një javë më pas, më 18 dhjetor.

Takimi i sotëm me zyrtarin amerikan ishte parë gjerësisht si një shenjë mbështetje ndaj tij, dhe në fakt zoti Escobar e shprehu hapur një gjë të tillë, kur në përfundim të takimit ai zgjodhi dhe të japë një deklaratë të shkurtër për mediat, përmes së cilave paralajmëroi një vizitë të ardhshme të kreut demokrat në Uashington. “Pres me kënaqësi të vijojmë marrëdhëniet me Partinë Demokratike, e po ashtu të shihemi me zotin Basha në Uashington, sa më shpejt që ai ta ketë të mundur”, u shpreh i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor.

Pas tij, zoti Basha konfirmoi se po planifikonte një vizitë në Shtetet e Bashkuara e po ashtu dhe faktin se gjatë takimit ishte folur dhe për rastin e zotit Berisha. “Padiskutim që çështja e pandëshkueshmërisë sikundër politikat e sanksioneve “non grata”, ishin pjesë e diskutimit”, tha ai në përjigje të një pyetjeje nga gazetarët.

Zoti Escobar po zhvillon dhe një takim me ministren e Jashtme Olta Xhaçka, ndërsa më vonë do të bisedojë dhe me kryeministrin Edi Rama. Siç edhe njoftonte dy ditë më parë ambasada amerikane në Tiranë, temat e bisedimeve me përfaqësuesit shqiptar do të ishin ndër të tjera “rikonfirmimi i mbështetjes së palëkundur të Shteteve të Bashkuara për demokracinë e Shqipërisë, integrimin në BE, bashkëpunim më të fortë në mbrojtje dhe mundësi për tregti e investime. Ashtu siç shkruhet në Urdhrat Ekzekutivë të Presidentit Biden, Escobar do të diskutojë gjithashtu edhe mbi vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara për të luftuar korrupsionin, pandëshkueshmërinë dhe përpjekjet për të minuar demokracinë në Ballkanin Perëndimor”.

Nga ana e tij zoti Escobar ndërsa vuri në dukej “përpjekjet tona të forta kundër korrupsionit, përfshirë dhe sanksionet”, nënvizoi se kjo “kërkon një angazhim të vazhdueshëm nga institucionet shqiptare që ta bëjnë atë një realitet”.

(Video) Gabriel Escobar: Partneriteti ynë me Shqipërinë është me aspiratat e popullit shqiptar

I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar në një intervistë me mediat e huaja në SHBA, dhënë në tetor përgjigjet edhe rreth mbështetjes Amerikane në Shqipëri.

30 qershori- Presidenca: Kushtetuesja i zhgënjeu të gjithë, nuk dha asnjë zgjidhje

Në një konferencë për shtyp nga Presidenca, këshilltari juridik i presidentit Ilir Meta, Bledar Dervishaj deklaroi se Gjykata Kushtetuese me vendimin e saj që la në fuqi 30 qershorin i zhgënjeu të gjithë. 

Gjykata, tha ai, cenoi rëndë parimet e transparencës, duke theksuar se shoqatës së bashkive iu mohua e drejta për përgjigje, ndërsa mosmarrja e një vendimi përfundimtar duke shpallur moskompetencë, e la çështjen të pazgjidhur dhe i hapi dyert antikushtetutshmërisë.

“Siç të gjithë jeni në dijeni Presidenti i Republikës ishte pjesë e këtij procesi, e mbështeti kërkesën e shoqatës së bashkive duke kërkuar pranimin e saj. Presidenti si palë e interesuar i kërkoi gjykatës, kontrollin e akteve apo vendimeve të marra nga pushteti vendor, për të përmbushur rolin, misionin që kushtetuta i ka dhënë. Vetëm përmes një vendimmarrje të themelit, Gjykata Kushtetuese do i rikthehet popullit shqiptar, votën e lirë, për të zgjedhur përfaqësuesit e tij.

Përkundër kësaj pritshmërie, kjo gjykatë i zhgënjeu të gjithë. Gjykata Kushtetuese për interesa që nuk përkojnë me ato të shqiptarëve hoqi dorë nga kompetencat për të mbrojtur liritë për shqiptarët. Për fat të keq, Gjykata Kushtetuese me vendimmarrjen e saj, e ka lënë çështjen pa zgjidhje përfundimtare. Ajo nuk mori guximin të shpjegonte apo të merrte përgjigjen e këtyre pyetjeve.

A iu mohua mbi 3 mln shtetasve shqiptarë e drejta për të zgjedhur në mënyrë të drejtë? A mundet sipas Kushtetutës të zhvillohen zgjedhje pa një datë të përcaktuar nga presidenti? A ishin votimet më 30 qershor, në përputhje me parimet, vlerat dhe liritë themelore që parashikon Kushtetuta jonë. A mundet që data e zgjedhjeve të diktohet juridikisht nga rezoluta? A para shikon Kodi Zgjedhor zgjidhjen e situatës ku në zgjedhje merr pjesë një kandidat?

Është e qartë që me vendimmarrjen e saj Gjykata nuk kishte vullnet për të zgjidhur çështjen, por ia la sërish çështjen juridiksionit politik. Për ta bërë veten jo kompetente, Gjykata Kushtetuese ka cënuar rëndë parimet e transparencës. Më datë 23 qershor, Gjykata Kushtetuese, në mënyrë të papritur vendosi të pezullojë shqyrtimin çështjes dhe ti drejtohet Venecias. E vetmja palë në proces që i adresoi pyetje gjykatës ishte pala kërkuese, Shoqata e Bashkive. 

Nëse Gjykata nuk do të kishte anashkaluar pyetjet, sot do të kishin një vendim në themel. Ia la sërish çështjen juridiksionit politik. Për të shmangur themelimin e çështjes dhe për ta bërë veten jo kompente, Gjykata Kushtetuese ka cenuar parimet e tranparencës dhe të një procesi të rregull ligjor. 

Gjykata Kushtetuese i zhgënjeu të gjithë. Gjykata Kushtetuese me vendimin e saj e la çështjen pa zgjidhje. Gjykata Kushtetuese dhe Qeveria janë në të njëjtën linjë arsyetimi. Gjykata Kushtetuese nuk përmbushi misionin e saj sublim”, u shpreh Dervishaj.


Send this to a friend