VOAL

VOAL

Protesta para Kuvendit të Kosovës- Deputeti i LVV-së ndalohet nga protestuesit teksa po largohej

PRISHTINË – Një situatë e tensionuar është krijuar para Kuvendit të Kosovës, ku protestuesit kanë ndaluar deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Fahrush Rexhepi. Deputeti është ndaluar teksa po tentonte të largohej nga godina e Kuvendit. Siç shihet edhe nga pamjet, disa protestues i janë afruar deputetit dhe e kanë ndaluar, duke e shoqëruar sërish drejt ambienteve të Kuvendit.

Protestuesit kundërshtojnë largimin e deputetëve pa u votuar ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara. Ata kërkojnë që deputetët të qëndrojnë në sallë dhe të marrin pjesë në procesin e votimit.

Qytetarët vijojnë protestën para Kuvendit, ndërsa kërkesa kryesore e tyre është votimi dhe procedimi i projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, në përputhje me procedurat parlamentare. Situata mbetet e tensionuar, ndërsa protestuesit u bëjnë thirrje deputetëve të mos largohen nga Kuvendi dhe të marrin pjesë në votim./Dosja.al

Kuvendi miratoi në parim ndryshimet për Specialen, leximi i dytë vihet në pikëpyetje

Doruntina Baliu

 

  • Kuvendi i Kosovës miratoi në lexim të parë ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, të propozuara nga PDK-ja.
  • Nisma parasheh, ndër të tjera, kufizimin e dënimit maksimal në 15 vjet burg, mundësinë e ankesës në Gjykatën Supreme dhe mbajtjen e dënimeve në Kosovë.
  • Projektligji u shqyrtua një ditë para afatit për zgjedhjen e presidentit – proces që PDK-ja e ka lidhur me miratimin e ndryshimeve – dhe mes protestave në mbështetje të nismës.

17:28

Haziri: Ejani të gjithë te Kuvendi i Kosovës

Organizatori i protestës para Kuvendit të Kosovës, Çlirim Haziri, ka bërë thirrje për protestë gjithëpopullore para organit ligjvënës, duke shtuar trysninë mbi të për kalimin e ndryshimeve në ligjin për Gjykatën Speciale.

“UÇK-ja ka nevojë për ne. TANI! Sot nuk ka vend për heshtje. Sot duhet të jemi të gjithë bashkë. Për UÇK-në. Për drejtësi. EJANI TANI”, shkroi ai në Facebook.

Thirrja e tij vjen teksa kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, janë duke e zhvilluar një takim në përpjekje për të arritur një marrëveshje për kalimin e ndryshimeve në lexim të dytë dhe për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës.

Kuvendi i miratoi në parim ndryshime në këtë ligj, por partia në pushtet kërkon që tani të zgjidhet presidenti i ri i Kosovës, duke ditur se afati kushtetues për këtë mbaron nesër më 6 tetor, dhe pastaj Kuvendi t’i votojë në lexim të dytë ndryshimet në ligjin për Specialen.

Protestues para Kuvendit të Kosovës.

Protestues para Kuvendit të Kosovës.

17:17

IKD bën thirrje të mos pengohen fizikisht deputetët

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) u ka bërë thirrje protestuesve të mos i pengojnë fizikisht deputetët, por t’i lejojnë të votojnë të lirë.

Në një reagim në Facebook, pasi një deputet s’u lejua të largohej nga Kuvendi mes thirrjeve për votimin e ndryshimeve në ligin për Gjykatën Speciale, IKD-ja tha se kërcënimet dhe përdorimi i dhunës janë trysni mbi Kuvendin dhe mbi ushtrimin e lirë të mandatit.

“Asnjë protestues apo organizatë nuk mund të vendosë përmes bllokimit fizik se kush hyn, kush del apo si duhet të votojë një deputet. Deputetët kanë të drejtë të votojnë, të mos votojnë dhe të mbajnë përgjegjësi politike për vendimet e tyre. Protesta duhet të mbetet protestë, ndërsa presioni politik nuk mund të shndërrohet në presion fizik”, thuhet në reagim.

Ajo u bëri thirrje organizatorëve të protestës para Kuvendit t’u kërkojnë qartë protestuesve që protesta të vazhdojë pa dhunë dhe pa pengim fizik të deputetëve.

16:55

Protestuesit s’e lejojnë deputetin të largohet nga Kuvendi

Protestues të mbledhur përreth ndërtesës së Kuvendit të Kosovës kanë penguar një deputet të partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, të largohet nga oborri i këtij institucioni.

Ata e kthyen dhunshëm Fahrush Rexhepi brenda hapësirës së Kuvendit derisa po tentonte të largohej.

Ai u bart me forcë nga disa protestues dhe u hodh përtej rrethojave te Policia e Kosovës.

Protestuesit kanë thënë se nuk do të lejojnë asnjë deputet të largohet nga Kuvendi pa u miratuar plotësisht ndryshimet në ligjin për Gjykatën Speciale.

Protestues të mbledhur pranë Kuvendit.

Protestues të mbledhur pranë Kuvendit.

Më herët, as ish-zëvendëskryeministri Besnik Bislimi nuk është lejuar nga protestuesit të largohej nga Qeveria e Kosovës, megjithëse ai nuk është deputet.

Bislimi është kthyer me përcjelljen e Policisë së Kosovës pasi u kap për krahu nga disa protestues.

Çlirim Haziri, një nga organizatorët, tha se deputetët “mund të dalin vetëm mbi trupat tanë”.

 

 

16:43

Takohen Kurti dhe Hamza

Kryeministri i Kosovës dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është duke zhvilluar një takim me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza.

Në takim, Kurti po shoqërohet nga deputeti e ministri i Financave, Hekuran Murati, ndërsa Hamza nga deputeti i PDK-së Rrahman Rama.

Tani mes tyre vjen pasi Kuvendi i miratoi në parim ndryshimet në ligjin për Gjykatën Speciale dhe mes mospajtimeve mes LVV-së dhe PDK-së për votimin në lexim të dytë.

LVV kërkon që para se të shkohet me lexim të dytë, Kuvendi ta zgjedhë presidentin e ri të vendit, duke ditur se afati kushtetues për këtë mbaron nesër më 6 tetor.

PDK-ja ngul këmbë që, fillimisht, të kalojnë ndryshimet në këtë ligj dhe pastaj të zgjidhet presidenti. rel

Bedri Hamza dhe Albin Kurti.

Bedri Hamza dhe Albin Kurti.

Kryeministri Kurti pranoi letër urimi për Qeverinë dhe mandatin e ri nga Kancelari Merz

Kryeministri Kurti pranoi letër urimi nga Kancelari Merz

Prishtinë, 3 tetor 2026

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dje pranoi letër urimi për Qeverinë dhe mandatin e ri nga Kancelari i Republikës Federale të Gjermanisë, Friedrich Merz.

“Ju përgëzoj përzemërsisht për rizgjedhjen Tuaj Kryeministër i Republikës së Kosovës. Kosova ka lënë pas muaj të tërë të pasigurisë politike, e cila i ka imponuar vendit kosto të larta. Konfirmimi i zgjedhjes Tuaj ofron mundësinë e ndërtimit të urave përtej prizmit partiak, zgjidhjes së çështjeve të hapura institucionale dhe avancimit të reformave”, shkroi Kancelari Merz.

Krahas urimeve për vazhdimësi suksesi në mandatin e ri qeverisës, Kancelari Merz shkroi se Gjermania qëndron fuqishëm përkrah Kosovës, duke e theksuar miqësinë e veçantë me popullin e Kosovës.

 

 

Kryeministri Kurti priti në takime diplomatë perëndimorë të akredituar në Kosovë

 

 

Prishtinë, 2 tetor 2026

 

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati.

 

Kryeministri Kurti pranoi urime nga e Ngarkuara me Punë Prattipati për formimin e Qeverisë dhe mandatin e ri. Ndërsa, ai e falënderoi ambasadoren për bashkëpunimin dhe shprehu mirënjohje për mbështetjen e madhe, të vazhdueshme dhe të palëkundur të Shteteve të Bashkuara ndaj Republikës së Kosovës.

 

Krahas marrëdhënieve të shkëlqyeshme ndërmjet dy vendeve si dhe mundësive për zgjerimin dhe thellimin e mëtejmë të tyre, në takim u diskutua për zhvillimet e fundit dhe aktualitetin politik.

***

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim mirëseardhës ambasadorin e ri të Republikës së Francës, Jean-François Huchet.

 

Duke i uruar mirëseardhje në kryeqytetin e Republikës dhe suksese në detyrën e re, Kryeministri Kurti vlerësoi zhvillimin pozitiv të marrëdhënieve dypalëshe dhe rezultatet konkrete që kanë rritur bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Francës.

 

Në takim u diskutua për vazhdimin e këtij momentumi dhe thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit, me theks të veçantë në Lojërat Mesdhetare 2030, si dhe në fusha si infrastruktura, teknologjia dhe energjia.

 

U diskutua gjithashtu për rrugën evropiane dhe proceset integruese. Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e mbështetjes së mëtejme të Francës për avancimin e Kosovës në këto procese.

Kryeministri Kurti i uroi ambasadorit Huchet mandat të suksesshëm në Kosovë dhe shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë gjatë mandatit të tij.

***

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves.

Kryeministri Kurti pranoi urime nga ambasadori Hargreaves për Qeverinë dhe mandatin e ri, ndërsa të dy shprehën gatishmëri për të vazhduar bashkëpunimin e mirë për të avancuar dhe thelluar marrëdhëniet e ndërsjella që Kosova dhe Mbretëria e Bashkuar kanë ndërtuar me vite.

Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit politike, me theks të veçantë përmbylljen e procesit të formimit të institucioneve. Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar për forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve me Mbretërinë e Bashkuar dhe do të punojë drejt zgjerimit dhe thellimit të partneritetit strategjik ndërmjet dy vendeve me synim që të zgjerojë bashkëpunimin në fushën e tregtisë, investimeve, teknologjisë dhe sportit; në kuadër të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare.

***

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë, Rainer Rudolph, nga i cili pranoi urime për Qeverinë dhe mandatin e ri.

 

Kryeministri Kurti e falënderoi ambasadorin Rudolph, për kontributin dhe mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë dhënë Kosovës.

 

Krahas diskutimit për zhvillimet politike në Kosovë, kryeministri Kurti dhe ambasadori Rudolph, biseduan për Procesin e Berlinit, nikoqire e të cilët do të jetë Kosova për herë të dytë këtë vit, si dhe për Forumin Ekonomik Kosovë-Gjermani që do të mbahet në fund të muajit tetor.

 

Kryeministri Kurti shprehu shqetësimin e Republikës së Kosovës për aktgjykimin e Dhomave të Specializuara për katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke shtuar se aktgjykimi ka pasaktësi faktike, historike dhe ligjore, që duhet të korrigjohen me doemos në apel./ Zyra e Kryeministrit

 

 

 

Qeveria: Nuk ka pengesa ligjore për nismën për ndryshimin e Ligjit për Specialen

Radio Evropa e Lirë

Qeveria e Kosovës vlerësoi më 2 tetor se nuk ka pengesa ligjore për nismën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Ky qëndrim është përfshirë në vendimin e miratuar në mbledhjen elektronike të Qeverisë, në përgjigje të kërkesës së Kuvendit të Kosovës të 23 shtatorit për vlerësimin e projektligjit.

Vendimi, bashkë me tekstin e mendimit të Qeverisë, i dërgohet Kuvendit.

Në njoftimin për mbledhjen, Qeveria tha se vlerësimi përfshin përputhshmërinë me legjislacionin e Bashkimit Evropian, ndikimin buxhetor dhe opinionin ligjor për përmbajtjen e projektligjit.

Vendimi përbën qëndrimin e Qeverisë për nismën, ndërsa ndryshimet e propozuara ende nuk janë miratuar nga Kuvendi.

Nisma për ndryshimin e ligjit pasoi dënimin në shkallë të parë për krime lufte të katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit me nga 25 vjet burgim, Kadri Veselit me 18 dhe Rexhep Selimit me 13 vjet.

Të dënuarit kanë të drejtë ta apelojnë aktgjykimin.

Çfarë synon nisma?

PDK-ja propozon, ndër të tjera, ngushtimin e juridiksionit të Dhomave të Specializuara në Hagë dhe bartjen te gjykatat dhe prokuroria në Kosovë të rasteve që do të konsideroheshin jashtë këtij juridiksioni.

Propozimet përfshijnë edhe mundësinë e ankimit në Gjykatën Supreme të Kosovës, kufizimin e dënimit maksimal në 15 vjet burgim, vuajtjen e dënimeve në Kosovë dhe mundësinë që presidenti t’i falë të dënuarit.

Kurti kishte deklaruar më 30 shtator se zyra e tij ligjore po e shqyrtonte propozimin dhe se përgjigjja për Kuvendin do të jepej brenda javës.

Zotimet ndërkombëtare

Ekspertë juridikë kanë paralajmëruar për Radion Evropa e Lirë se ndryshimi i ligjit dhe zbatimi i ndryshimeve të synuara përballen me kufizime kushtetuese dhe me zotimet ndërkombëtare të Kosovës.

Ehat Miftaraj, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi, ka thënë se deputetët kanë kompetencë të nisin ndryshime ligjore, por ato nuk mund t’i cenojnë obligimet që Kosova ka marrë përsipër për gjykatën.

Përmes shkëmbimit të letrave me Bashkimin Evropian më 2014, Kosova u zotua, ndër të tjera, të konsultohej me BE-në për ndryshime ligjore që ndikojnë në mandatin e gjykatës apo në procedurat përkatëse.

Dhomat e Specializuara i kanë thënë REL-it se nuk janë konsultuar për nismën.

“Dhomat e Specializuara janë plotësisht të përqendruara në zbatimin e mandatit të tyre për të garantuar gjykime të drejta, të paanshme dhe të sigurta. Ne nuk komentojmë mbi nismat politike”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Një ditë para vendimit të Qeverisë, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e pyetur në Prishtinë për nismën për ndryshimin e ligjit, tha se i takon Kosovës të vendosë, por theksoi se “është me rëndësi që të garantohet pavarësia e gjyqësorit”.

Në konferencën e përbashkët me Kurtin më 1 tetor, ajo tha gjithashtu se mandati i institucioneve të pavarura gjyqësore duhet të respektohet plotësisht dhe se aktgjykimi ka të bëjë me përgjegjësinë individuale të të pandehurve.

Ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara është edhe një nga kërkesat e protestuesve që, nën thirrjen “Jo në emrin tim”, kanë protestuar në Prishtinë kundër dënimit të ish-udhëheqësve të UÇK-së. Organizatori Çlirim Haziri i ka thënë REL-it se kërkojnë edhe garantimin e një buxheti mbështetës për mbrojtjen e katër të dënuarve.

PDK-ja e ka lidhur vazhdimin e diskutimeve për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm të Kosovës me miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Pas takimit me Kurtin në mbrëmjen e 2 tetorit, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, tha se nuk ishte arritur ndonjë marrëveshje. Ai përsëriti se miratimi i ndryshimeve është i domosdoshëm për partinë e tij dhe se më pas është e hapur të diskutojë për presidentin.

Afati për zgjedhjen e presidentit përfundon më 6 tetor dhe Kosova rrezikon zgjedhje të reja parlamentare nëse deputetët nuk arrijnë ta zgjedhin kreun e shtetit.

Kurti: Kanë nisur bisedimet për presidentin, fundjava vendimtare

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka konfirmuar se tashmë kanë nisur komunikimet me subjektet politike për të gjetur një marrëveshje rreth zgjedhjes së presidentit të ri të vendit.

Kurti tha se ditët në vijim do të jenë vendimtare për arritjen e një dakordimi, ndërsa shprehu synimin që Kosova ta ketë presidentin e ri gjatë javës së ardhshme.

“Kemi filluar komunikimet dhe natyrisht që kjo fundjavë është vendimtare për të pasur marrëveshje, që javën e ardhshme të kemi president”, tha Kurti.

Përpjekjet për një marrëveshje zhvillohen në një kohë kur afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit po shkon drejt përfundimit. Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se procedura duhet të përmbyllet deri më gjashtë tetor, duke e vendosur skenën politike përballë një kohe të kufizuar për të gjetur kompromisin.

Nëse Kuvendi nuk arrin ta zgjedhë presidentin brenda këtij afati, vendi përballet me një tjetër proces zgjedhor.

Në këtë situatë, vëmendja është përqendruar te bisedimet mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe partive opozitare, pasi për zgjedhjen e presidentit nevojitet një numër i caktuar votash që nuk sigurohet vetëm nga mazhoranca.

Partia Demokratike e Kosovës ka deklaruar se është e gatshme të diskutojë për zgjedhjen e presidentit, por ka lidhur këtë proces me kërkesën për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës. PDK kërkon që të rishikohet mandati dhe mënyra e funksionimit të Gjykatës Speciale.

Ndërkohë, edhe Aleanca ka pasur kërkesa të tjera përpara se të ulet në tryezën e bisedimeve me Vetëvendosjen.

Me Lidhjen Demokratike të Kosovës, Vetëvendosje kishte zhvilluar më herët negociata dhe ishte arritur një dakordim për kandidaturën e Bekim Sejdiut për president. Megjithatë, kandidatura nuk mori mbështetjen e nevojshme në Kuvend dhe Sejdiu u tërhoq nga gara.

Tashmë, me afrimin e afatit kushtetues, presioni politik për arritjen e një marrëveshjeje është rritur. Nëse palët nuk gjejnë gjuhën e përbashkët dhe presidenti nuk zgjidhet, Kosova do të drejtohet sërish drejt zgjedhjeve.

Kurti ka bërë të ditur se synimi mbetet që kjo çështje të zgjidhet përmes marrëveshjes politike dhe që javën e ardhshme Kosova të ketë presidentin e ri. Panorama

Fjala e Kryeministrit Kurti në konferencën e përbashkët me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen

 

 

Prishtinë, 1 tetor 2026

Fjala e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në konferencën e përbashkët për media, pas takimit me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen:

 

Mirëdita të gjithëve dhe mirë se keni ardhur në këtë konferencë të përbashkët me Presidenten e Komisionit Evropian, znj. Ursula von der Leyen.

E nderuara Presidente von der Leyen, mirë se vini në Prishtinë.

Kjo është vizita juaj e gjashtë në Prishtinë si Kryetare e Komisionit Evropian. Jemi takuar për herë të parë gjatë pandemisë, dhe që nga atëherë ju keni ardhur për çdo vit. Përkundër krizave dhe sfidave, nuk keni munguar asnjëherë. Ju falënderoj për mbështetjen që ja keni dhënë vendit tonë dhe qytetarëve tanë.

Që nga takimi ynë i parë, Kosova ka shënuar përparim të qëndrueshëm, dhe këtë e konfirmojnë vlerësuesit e pavarur.

Kosova ka pasur njërën prej rritjeve më të shpejta të treguesve demokratikë në rajon në këtë dekadë. Vlerësuesit e pavarur tregojnë se kemi pasur sukses në luftën kundër korrupsionit, në forcimin e sundimit të ligjit, sikurse të institucioneve demokratike, në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, si dhe në avancimin e demokracisë. Përderisa në rajonin tonë të Evropës Juglindore ka autokraci elektorale, Kosova është demokraci elektorale. Zgjedhjet tona janë të lira, të drejta dhe konkurruese. Dhe po, ato duhet të mbahen një herë në katër vjet, e jo dy herë në vit.

Ky përparim e ka bërë Kosovën edhe njërin prej vendeve më të sigurta në Evropë. Nëntë në dhjetë qytetarë tanë ndihen të sigurt të ecin vetëm natën, dhe përmirësimi më i madh në siguri dhe në sundimin e ligjit ka ndodhur në veri të vendit tonë.

Ekonomia vazhdon të rritet 4 për qind në vit, rritja më e lartë në rajon, ndërsa borxhi ynë publik mbetet më i ulëti në Evropë. Vitin e kaluar, Kosova u bë donatore e Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillim të Bankës Botërore, dhe sikur Banka Botërore ashtu edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar na hoqën nga listat e tyre të shteteve të brishta dhe të prekura nga konflikti. Këtë rritje e kemi ndarë me qytetarët tanë, përmes shtesave për fëmijë dhe për nëna, pensioneve më të larta dhe pagës minimale më të lartë, masa që për herë të parë janë vendosur ose janë rritur në këtë dekadë.

Kosova është partnere e besueshme e Bashkimit Evropian. Ne jemi 100 për qind të harmonizuar me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të Bashkimit Evropian, përfshirë edhe çdo sanksion kundër Rusisë për agresionin e saj ndaj Ukrainës. Ne i mbrojmë vlerat e nenit 2 të Traktatit për Bashkim Evropian. Dhe mbështetja e qytetarëve tanë për anëtarësimin në BE mbetet më e larta në rajon, menjëherë pas Shqipërisë.

Agjenda e Reformave në kuadër të Planit të Rritjes po zbatohet. Kosova ishte ndër vendet e para që e dorëzoi atë, dhe ndonëse zbatimi zgjati më shumë sesa që ishte planifikuar, çdo reformë do të përmbushet. Pesë ditë më parë, qeveria i miratoi 10 nga 12 ligjet, me afat qershorin, dhe i ridërgoi në Kuvend. Jam i bindur se Kuvendi do të veprojë shpejt, dhe qytetarët e Kosovës do të përfitojnë plotësisht nga Plani i Rritjes. Ju siguroj se asnjë reformë evropiane nuk do të mbetet prapa. Ajo që bllokada në parlamentin tonë mund të lërë prapa janë fondet evropiane për këto reforma. Dhe kjo natyrisht që është për të ardhur keq.

Të nderuar gazetarë,

Në takimin tonë, i kërkova Presidentes von der Leyen anëtarësimin e Kosovës në Konventën për Tranzitin e Përbashkët, ku tashmë janë anëtarësuar tre nga fqinjët tanë, që mallrat të lëvizin më shpejt dhe me kosto më të ulët ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Kërkova gjithashtu integrimin e Kosovës në organizatat evropiane të standardizimit dhe në kornizën evropiane të akreditimit. Sot, Kosova është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor jashtë marrëveshjes evropiane për njohjen e ndërsjellë të akreditimit, ndonëse ne tashmë i zbatojmë standardet evropiane, me kosto shtesë për bizneset tona. Hapja e këtyre dyerve do ta shndërronte harmonizimin tonë me rregullat e BE-së në qasje reale në Tregun e Unik. Kosova ka treguar se çfarë mund të arrijë. Me më shumë dyer të hapura, mund të arrijë edhe më shumë.

Në raportet vjetore të Komisionit, Kosova nuk ka shënuar kthim prapa në asnjërën nga 33 fushat e politikave, me përparim që varion nga i kufizuar deri në të mirë.

Në dhjetor mbushen katër vjet që kur Kosova aplikoi për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Bazuar në meritë, Kosova i plotëson kriteret për statusin e vendit kandidat dhe për hapjen e negociatave të anëtarësimit.

Natyrisht, sfida ka gjithmonë, dhe në këtë botë të re nuk mungojnë sfidat e reja. Por përparimi ynë është i qartë.

Zonja Presidente, llogarisim në mbështetjen tuaj që të flisni hapur për nevojën që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat, dhe që t’i bëni thirrje Këshillit të kërkojë Opinionin e Komisionit për aplikimin tonë.

Lëvizshmëria apo mobiliteti rajonal është gjithashtu në thelb të Planit të Rritjes. Marrëveshja e Procesit të Berlinit për njohjen e diplomave duhet të zbatohet, dhe Bosnja e Hercegovina duhet të ratifikojë marrëveshjen për lëvizjen e lirë me letërnjoftim, që studentët dhe punëtorët të lëvizin lirshëm në tërë rajonin.

Më lejoni të ndalem edhe tek aktgjykimi i fundit i Dhomave të Specializuara, të cilin qytetarët tanë po e ndjekin me shumë vëmendje.

Në këtë aktgjykim, janë tri pika që duhen theksuar ndërkombëtarisht. E para, pretendimet për të ashtuquajturën Shtëpi të Verdhë dhe për trafikimin e organeve as nuk bënë pjesë e aktakuzës. E dyta, akuzat për krime kundër njerëzimit dhe për sulme të gjera e sistematike kundër popullsisë civile u rrëzuan. E treta, Dhomat e Specializuara theksuan qartë që Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk është në gjyq, dhe se vendimi i tyre në asnjë mënyrë nuk synon të cenojë drejtësinë apo legjitimitetin e luftës çlirimtare.

Në të njëjtën kohë, kemi shqetësime serioze për konkludimet tjera dhe për dënimet e rënda. Besojmë se ato përmbajnë gabime faktike, historike dhe juridike, dhe presim që këto të korrigjohen në apel. Drejtësia duhet të jetë e paanshme, dhe duhet të shihet e përjetohet si e paanshme. Rreth 20 mijë njerëz janë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, dhe shumë kryerës nuk janë ndëshkuar. Kosova kërkon drejtësi për çdo viktimë, për çdo krim dhe për çdo kryerës. Dhe, ne nuk mund të lejojmë barazimin e përgjegjësisë së fajësisë për shkak se dëshiron dikush të krijojë narrativa alternative.

Presidente von der Leyen, ju falënderoj edhe një herë përzemërsisht që jeni këtu.

Kosova e ka bërë pjesën e saj, dhe ne jemi gati për hapin e radhës drejt anëtarësimit në Bashkim Evropian.

 

Kryeministri Kurti bëri homazhe te varri i profesorit Ejup Statovci

 

Prishtinë, 1 tetor 2026

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në 29-vjetorin e protestave studentore dhe në nderim të jetës dhe veprës së profesorit Ejup Statovci, vendosi kurora me lule të freskëta dhe bëri homazhe te varri i tij.

 

Me këtë rast, kryeministri Kurti, duke kujtuar 1 tetorin e vitit 1997, tha se atë ditë u thye heshtja nën okupim, u davarit pasiviteti që ekzistonte dhe i gjithë populli u bë bashkë me studentët që e shndërruan rezistencën në aktive dhe i dhanë një dinamikë të re politikës në Kosovë.

 

“Atëbotë kanë qenë diku 20 mijë studentë dhe një mijë mësimdhënës dhe Rektori Statovci ka qenë udhëheqës, ka qenë profesor shumë i nderuar, ka qenë akademik, por edhe njëkohësisht i urtë, por i vendosur. I mençur, por aktiv. Profesor, po me studentët”, tha kryeministri Kurti.

 

Duke kujtuar kontributin e profesor Statovcit, kryeministri Kurti tha se kur ai e ka rifilluar Universitetin, e ka pasur edhe më vështirë në vitin 1991, sesa dy dekada para atij viti kur u pat themeluar Universiteti i Prishtinës. “Pra, mund të themi që Ejup Statovci nuk e ka pasur më lehtë se Dervish Rozhaja, mbase veçse më vështirë”, u shpreh kryeministri.

 

Prandaj, siç tha kryeministri, nderimi që ja bëjmë Profesor Ejup Statovcit, është edhe nderim Universitetit, këtij tempulli të dijes e të shkencës, po njëkohësisht edhe të qëndresës e të politikës.

 

Deklarimi i plotë i Kryeministrit Kurti:

 

Duke ju falënderuar Rektorit të atëhershëm, Profesor Ejup Statovcit, protestat studentore u ngritën në nivel të Universitetit të Prishtinës dhe kemi qenë bashkë mësimdhënësit edhe ne studentët, me 1 tetor të vitit 1997, kur u thye heshtja nën okupim, u davarit pasiviteti që ekzistonte dhe i gjithë populli u bë bashkë me studentët që e shndërruan rezistencën në aktive dhe i dhanë një dinamikë të re politikës në Kosovë.

 

Ne kërkonim lirimin e objekteve universitare. Universiteti i Prishtinës ishte Universitet i Republikës së Kosovës dhe Profesor Ejup Statovci ishte në ballë të studentëve dhe të gjithë mësimdhënësve.

 

Atëbotë kanë qenë diku 20 mijë studentë dhe një mijë mësimdhënës dhe Rektori Statovci ka qenë udhëheqës, ka qenë profesor shumë i nderuar, ka qenë akademik, por edhe njëkohësisht i urtë, por i vendosur. I mençur, por aktiv. Profesor, po me studentët.

 

Kurrë nuk e harrojmë edhe vitin 1991, se unë besoj që ai është momenti kur ai e ka dëshmuar veten në lartësinë e duhur edhe historike do të thosha, kur e ka rifilluar Universitetin e Prishtinës, pasi që na kishin dëbuar nga objektet universitare.

 

Mbase Ejup Statovci kur e ka rifilluar Universitetin e ka pasur edhe më vështirë në vitin 1991, sesa dy dekada para atij viti kur u pat themeluar Universiteti i Prishtinës. Pra, mund të themi që Ejup Statovci nuk e ka pasur më lehtë se Dervish Rozhaja, mbase veçse më vështirë.

 

Por, Universiteti i Prishtinës mos të harrojmë që është institucioni kryesor i gjithë shqiptarëve në ish-Jugosllavi në gjysmën e dytë të shekullit XX-të.

 

Prandaj, edhe nderimi që ja bëjmë Profesor Ejup Statovcit, është edhe nderim Universitetit, këtij tempulli të dijes e të shkencës, po njëkohësisht edhe të qëndresës e të politikës./Zyra e Kryeministrit

 

Von der Leyen kërkon zgjedhjen e presidentit: Stabiliteti institucional është themeli i gjithçkaje

KOSOVË- Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka bërë thirrje për vazhdimin e dialogut ndërmjet partive politike në Kosovë, duke e cilësuar stabilitetin institucional si bazë për zhvillimin e vendit dhe avancimin e tij drejt Bashkimit Evropian.

Duke folur pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, Von der Leyen tha se formimi i Kuvendit dhe Qeverisë përbën një hap të rëndësishëm, ndërsa theksoi se hapi i radhës është zgjedhja e presidentit.

“Kuvendi dhe Qeveria janë themeluar, kjo është mirë. Hapi i ardhshëm është zgjedhja e presidentit/es dhe së fundmi po vërejmë se dialogu mes partive politike është i mundur. Ju duhet të vazhdoni në këtë drejtim, sepse stabiliteti institucional është themeli i gjithçkaje”, tha Von der Leyen.

Ajo përsëriti mbështetjen e saj për perspektivën evropiane të Kosovës, duke thënë se beson qartë në të ardhmen e vendit brenda Bashkimit Evropian.

“Unë besoj në të ardhmen evropiane të Kosovës dhe atë qartazi, sepse e di se sa thellësisht ndjehen evropianë populli i Kosovës”, deklaroi Von der Leyen.

Presidentja e Komisionit Evropian foli edhe për mbështetjen financiare përmes Planit të Rritjes, duke thënë se Kosova mund të përfitojë deri në 882 milionë euro. Sipas Von der Leyen, zbatimi i reformave dhe përdorimi i instrumenteve të Planit të Rritjes mund ta afrojë Kosovën me tregun e përbashkët evropian.

“Kosova mund të marrë 882 milionë euro sipas Planit të Rritjes. Keni marrë 62 milionë euro si parafinancim. Plani i Rritjes mund t’ju çojë më afër tregut të përbashkët”, u shpreh presidentja e Komisionit Evropian./Dosja.al

Von der Leyen: Aktgjykimi i Hagës duhet respektuar, askush s’mund ta rishkruajë historinë e Kosovës

Radio Evropa e Lirë

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë të enjten në Prishtinë se aktgjykimi dënues i gjykatës në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duhet të respektohet plotësisht, duke ngulur këmbë njëkohësisht se “askush dhe asgjë” nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës.

“Aktgjykimi i Dhomave të Specializuara ka shkaktuar emocione të fuqishme, e çmoj reagimin tuaj të matur dhe të liderëve politikë që bëjnë thirrje për qetësi”, tha von der Leyen në një konferencë të përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Prishtinë.

Dënimi i ish-presidentit Hashim Thaçi me 25 vjet burgim, i ish-kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi, me 25, i ish-kryetarit tjetër të Kuvendit, Kadri Veseli, me 18, dhe i ish-deputetit Rexhep Selimi me 13, është kundërshtuar gjerësisht në Kosovë.

Që të katërtit udhëhoqën luftën e UÇK-së kundër forcave pushtuese serbe në vitet 1998-1999, dhe shihen si heronj nga shqiptarët e Kosovës.

Von der Leyen, në vizitën e saj të gjashtë në Kosovë, tha se “ky aktgjykim u dha nga institucione të pavarura gjyqësore dhe mandati i tyre duhet të respektohet plotësisht”.

“Por një gjë është e qartë: ky aktgjykim ka të bëjë me përgjegjësinë individuale të të pandehurve; rezistenca e Kosovës nuk ishte në gjykim dhe ne duhet të nderojmë kujtimin e të gjitha viktimave nga të gjitha komunitetet”, shtoi ajo.

Në Kosovë është protestuar vazhdimisht që nga shqiptimi i aktgjykimi pasi shumë shqiptarë ndiejnë se gjykata e cilësoi UÇK-në si një organizatë të përbashkët kriminale, megjithëse vetë kryetari i trupit gjykues nguli këmbë disa herë në aktgjykimit se lufta e UÇK-së për liri nuk u gjykua.

Kurti, duke folur përkrah shefes së Komisionit Evropian, nënvizoi se gjykata e tha qartë se UÇK-ja nuk ishte në gjyq dhe se vendimi i tyre në asnjë mënyrë nuk synon të cenojë drejtësinë apo legjitimitetin e luftës çlirimtare.

Prandaj, tha ai, kjo duhet të theksohet më shumë ndërkombëtarisht.

Kurti, megjithatë, shprehu shqetësime për përfundimet e tjera dhe ato që i cilësoi si dënime të rënda, duke thënë se pret që ato të korrigjohen në apel.

“Besojmë se ato përmbajnë gabime faktike, historike dhe juridike, dhe presim që këto të korrigjohen në apel. Drejtësia duhet të jetë e paanshme dhe duhet të shihet e përjetohet si e paanshme”, shtoi Kurti.

Ndërkohë, von der Leyen u pyet edhe për nismën për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara në Kosovë.

Ajo tha se i takon vetë Kosovës të vendosë, por paralajmëroi se “është me rëndësi që të garantohet pavarësia e gjyqësorit”.

Kjo nismë, e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), është duke u shqyrtuar nga zyra ligjore e kryeministrit Kurti.

Në dokumentin e ndryshimeve të propozuara, kërkohet ndër të tjera, që dënimet më të larta që mund të shqiptohen të jenë 15 vjet burgim dhe që të dënuarit të mund të jenë subjekt i faljes presidenciale.

Ekspertë ligjorë që folën më herët me Radion Evropa e Lirë, e kanë quajtur këtë iniciativë vështirë të arritshme dhe kanë ngritur pikëpyetje për ndikimin real që mund të ketë ndryshimi.

Pse është i vështirë ndryshimi i Ligjit për Specialen dhe çfarë ndikimi do të mund të kishte

Ekrem Idrizi

Në Kosovë janë shtuar përpjekjet për ta ndryshuar një ligj, mbi bazën e të cilit Kuvendi i shtetit e themeloi para një dekade një gjykatë në Hagë, e cila, në shkallë të parë, i dënoi për krime lufte katër ish-udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Por, arritja e këtij qëllimi është shumë më e vështirë sesa mund të duket, paralajmërojnë ekspertë juridikë për Radion Evropa e Lirë (REL).

Nisma për ta ndryshuar Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, të cilat mbështeten nga Bashkimi Evropian (BE), është duke u shqyrtuar nga zyra ligjore e kryeministrit Albin Kurti.

Para se të mundë të arrijë në Kuvendin e Kosovës për votim, kjo iniciativë e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), subjektit më të madh opozitar, duhet ta marrë pëlqimin e Qeverisë dhe t’i kalojë komisionet parlamentare.

Derisa kalimi i këtyre hapave mund të jetë i lehtë, mënyra e arritjes deri tek ndryshimet në këtë ligj, dhe ndikimi eventual i tij pastaj, janë ato çfarë e bëjnë tejet të ndërlikuar çështjen.

Zotimet ndërkombëtare dhe letërkëmbimi

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë të drejtë dhe kompetencë për të iniciuar plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara – por, para se ta bëjnë këtë, ata duhet të sigurohen që nuk i shkelin zotimet ndërkombëtare të Kosovës, thotë Ehat Miftaraj, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD).

Miftaraj thekson për REL-in se “ndryshimi i ligjit nuk guxon t’i cenojë obligimet që ka marrë Kosova në bazë të Nenit 162 të Kushtetutës”, dhe se “çdo plotësim-ndryshim i ligjit nuk mund të jetë në kundërshtim me obligimet ndërkombëtare që ka marrë përsipër Kosova”.

Përmes një shkëmbimi letrash në prillin e 2014-s mes presidentes së atëhershme të Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe shefes së BE-së, Catherine Ashton, Kosova mori një sërë zotimesh lidhur me Dhomat e Specializuara.

Shkëmbimi i këtyre letrave ishte në thelb marrëveshja që e krijoi atë që sot në Kosovë njihet si Gjykata Speciale.

Ndër zotimet që mori Kosova asokohe ishte edhe të konsultohej me BE-në për çfarëdo nisme për ndryshim të ligjeve që kanë ndikim në mandatin gjykatës, apo në procedurat gjyqësore që burojnë nga hetimet e Task-Forcës Speciale Hetuese (SITF).

Po ashtu, Kosova u zotua për vazhdimin e punës së Dhomave të Specializuara dhe të Zyrës së Prokurorit të Specializuar deri në përfundimin e hetimeve dhe procedurave përkatëse.

Miftaraj thotë se, që këto ndryshime të kenë ndikim dhe të jenë të zbatueshme në praktikë, Kosova së pari duhet të bashkëpunojë me shtetet kryesore të Këshillit të BE-së apo me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ambasadat e vendeve të BE-së në Kosovë nuk iu përgjigjën pyetjeve të REL-it për këtë nismë.

As PDK-ja, dhe as Qeveria e Kosovës nuk kanë treguar nëse kanë konsultuar shtetet e BE-së, apo vetë Dhomat e Specializuara për ndryshimet e propozuara.

Kryeministri Kurti, i pyetur për këtë nismë, tha më 30 shtator se zyra e tij ligjore e ka marrë propozimin, dhe se po e shqyrton atë, ndërsa do t’i kthejë Kuvendit përgjigje më vonë gjatë javës.

“Prej informimeve që i kam deri më tani, edhe nga ministritë përkatëse, brenda kësaj jave do ta kemi përgjigjen, edhe si mendim të zyrës ligjore të Ministrisë së Drejtësisë. Mandej do
t’ia japim përgjigjen Kuvendit, dhe aty do të vazhdojë më tutje procedura”, tha Kurti, pa dhënë hollësi të tjera.

Nuk është e qartë nëse Kurti, partia e të cilit, Lëvizja Vetëvendosje, gëzon shumicën në Kuvend, do t’i mbështesë këto ndryshime të iniciuara nga PDK-ja.

Grupi për Studime Politike dhe Juridike (GLPS) nuk deshi të komentonte kur u pyet nga REL-i se si do t’i shpjegonte në aspektin juridik ndryshimet e synuara.

“Kosova s’mund ta ndryshojë këtë gjykatë”

Ismet Salihu, profesor i së Drejtës Penale Ndërkombëtare, tani në pension, thotë për REL-in se Kosova nuk mund të ketë ndikim me një nismë të tillë mbi Dhomat e Specializuara në Hagë.

Ai e përshkruan Specialen si një gjykatë me tiparet e një gjykate ndërkombëtare penale, njëlloj sikurse çdo tribunal ndërkombëtar i Hagës, dhe thotë se Kosova e as ligji i saj nuk kanë autoritet mbi të.

“Kjo gjykatë i ka kompetencat e një gjykate penale ndërkombëtare, dhe i vetmi element i Kosovës në këtë gjykatë është se u themelua me ligjin e Kosovës. Madje, edhe arkivi i kësaj gjykate do të vazhdojë të ruhet në Hagë, nuk do t’i jepet Kosovës”, thekson Salihu.

Ndër ndryshimet e synuara është edhe juridiksioni i Speciales. Pra, të ngushtohet në mënyrë drastike fusha e veprimit të saj – ajo çfarë mund të hetojë dhe të gjykojë.

Po ashtu, kërkohet që rastet që do të konsideroheshin jashtë juridiksionit, të barteshin te gjykatat dhe prokuroria në Kosovë, dhe që palët të mund të ankoheshin në Gjykatën Supreme të Kosovës në Prishtinë.

Dhe, gjithashtu, që dënimi maksimal të bëhej burgimi prej 15 vjetësh, që dënimi të vuhej në Kosovë dhe që presidenti të mund t’i falte të dënuarit.

Megjithatë, secili nga këto ndryshime në Ligjin për Dhomat e Specializuara është subjekt i vlerësimit të ligjshmërisë nga ana e Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese në Hagë, e përbërë nga tre gjyqtarë ndërkombëtarë, të cilët vendosin ekskluzivisht mbi referimet kushtetuese në lidhje me Dhomat e Specializuara dhe me Zyrën e Prokurorit të Specializuar, shpjegon Miftaraj.

REL-i kontaktoi Dhomat e Specializuara të Kosovës, për t’i pyetur nëse janë konsultuar në lidhje me ndryshimet e propozuara në ligj, por deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi nuk mori përgjigje.

Miftaraj tregon se është Gjykata Kushtetuese në Hagë, jo ajo e Kosovës në Prishtinë, e cila vendosë përfundimisht nëse këto ndryshime janë të pranueshme apo jo.

Për këtë, thotë ai, ka garantuar Kuvendi i Kosovës, përmes amendamentit kushtetues 162.

Shembulli më i mirë për këtë është rasti i vitit 2020.

Asokohe ishin propozuar ndryshime në Nenin 162 të Kushtetutës, dhe kryetarja e atëhershme e Kuvendit, Vjosa Osmani, nuk ia dërgoi ato Gjykatës Kushtetuese në Prishtinë, por Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese në Hagë.

Kushtetuesja në Hagë kishte ardhur në përfundim se, sipas Nenit 162(3), vetë ajo kishte juridiksion ekskluziv për vlerësimin e amendamenteve, sepse ato kishin të bënin me Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Mungesa e reagimit nga ndërkombëtarët

Dënimi i ish-presidentit Hashim Thaçi me 25 vjet burgim, i ish-kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi, me 25, i ish-kryetarit tjetër të Kuvendit, Kadri Veseli, me 18, dhe i ish-deputetit Rexhep Selimi me 13, është kundërshtuar gjerësisht në Kosovë.

Që të katërtit udhëhoqën luftën e UÇK-së kundër forcave pushtuese serbe në vitet 1998-1999, dhe shihen si heronj nga shqiptarët e Kosovës.

Për shumë shqiptarë, gjykata e cilësoi UÇK-në si një organizatë të përbashkët kriminale, megjithëse vetë kryetari i trupit gjykues nguli këmbë disa herë në shqiptimin e aktgjykimit se Thaçi, Krasniqi, Veseli e Selimi u gjykuan dhe dënuan për përgjegjësi individuale, dhe jo lufta e UÇK-së për liri.

Ndryshimet e synuara në këtë ligj tani vijnë gati një dekadë pasi Kosova kishte tentuar ta zhbënte tërësisht ligjin.

Asokohe, ambasadat e huaja në Kosovë, përfshirë atë të SHBA-së, kishin reaguar ashpër ndaj asaj përpjekjeje.

Miftaraj thotë se mungesa e reagimit nga ndërkombëtarët tani për këtë nismë nuk nënkupton se partnerët e Kosovës kanë ndryshuar qasje për Gjykatën Speciale.

Sipas tij, qëllimi i atëhershëm ishte shumë më radikal sesa nisma e tanishme.

“Sot, gati 10 vjet pas, iniciativa e PDK-së për ndryshim të ligjit dhe kufizim të juridiksionit të gjykatës është ende në fazë të hershme, dhe me pasoja skajshmërisht më të kufizuara se iniciativa e vitit 2017”, thekson ai.

“Për më tepër, në atë kohë iniciativa vinte nga partnerët e koalicionit në qeveri, dhe me mundësi praktike për të arritur qëllimin për shfuqizimin e gjykatës, përderisa sot partia në pushtet shihet qartazi se nuk e mbështet një iniciativë të tillë. Andaj, edhe partnerët, pa parë ndonjë efekt juridik, mund edhe të mos reagojnë njëjtë si para 10 vjetëve”, përfundon Miftaraj.

Kurti thotë se Sejdiu mbetet kandidati për president, pavarësisht tërheqjes së tij

Radio Evropa e Lirë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha më 30 shtator se Bekim Sejdiu mbetet kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për president, pavarësisht tërheqjes së tij nga gara. Ai kërkoi takime të reja me opozitën gjashtë ditë para përfundimit të afatit për zgjedhjen e kreut të shtetit.

“Sa i përket kandidatit, ne e kemi kandidatin. Kandidati është profesor Bekim Sejdiu nga marrëveshja”, tha Kurti në një konferencë për media.

LVV-ja dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e kishin propozuar Sejdiun si kandidat të përbashkët më 31 gusht. Por, një ditë më vonë, gjashtë deputetë të LDK-së u shprehën kundër kandidaturës së tij.

Sejdiu, ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese dhe ish-diplomat, njoftoi tërheqjen më 14 shtator, duke përmendur mungesën e mbështetjes së nevojshme parlamentare dhe përplasjet e brendshme politike.

Kurti, ndërkaq, e interpretoi vendimin e Sejdiut si të kushtëzuar nga situata e krijuar pas moszbatimit të marrëveshjes, për të cilin fajësoi gjashtë deputetët e LDK-së.

“Nga pikëpamja e Lëvizjes Vetëvendosje, ne kemi marrëveshje politike dhe unë besoj që duhet ta respektojmë atë”, tha ai, duke shtuar se partia e tij nuk ka emër tjetër.

Kurti nuk sqaroi nëse kishte biseduar me Sejdiun për një rikthim të mundshëm në garë apo nëse ai ishte i gatshëm të kandidonte sërish.

Radio Evropa e Lirë e ka kontaktuar Sejdiun për ta pyetur nëse është i gatshëm të rikthehet në garën për president dhe është në pritje të përgjigjes.

Takime të domosdoshme, por pa datë të caktuar

Sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të 23 shtatorit, afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit ka nisur më 8 gusht dhe përfundon më 6 tetor. Kosova rrezikon zgjedhje të reja nëse deputetët nuk arrijnë ta zgjedhin kreun e shtetit brenda këtij afati.

Kurti tha se është në komunikim të drejtpërdrejtë me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, dhe atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku. Megjithatë, ai tha se nuk ishte takuar me ta më 29 dhe 30 shtator dhe nuk njoftoi ndonjë datë për takimin e ardhshëm.

“Është e domosdoshme që të kemi takime të reja”, tha ai.

Optimizmin për një marrëveshje Kurti e lidhi me miratimin, më 28 shtator, të deklaratës së Kuvendit për gjykimin ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë. Deklarata mori 99 vota për.

Sipas tij, ky dakordim dëshmon se partitë mund të bashkëpunojnë edhe më tej, ndërsa hyrja në rivalitete të ashpra zgjedhore do t’u shërbente kundërshtarëve të Kosovës.

“Prandaj duhet të ketë takime dhe unë besoj që do të mund të ulemi, diskutojmë dhe dakordësinë e së hënës ta vazhdojmë edhe më tej”, tha Kurti.

Ai kërkoi që bisedimet të zhvillohen mes udhëheqësve politikë dhe që rezultatet të bëhen publike më pas.

“Garanci nuk ka, por vullnetin e kam parë”, tha ai.

Zgjedhja e presidentit të Kosovës ka qenë në qendër të krizës politike në vend dhe shkaktoi zgjedhje të parakohshme në qershor.

Nëse presidenti i ri nuk zgjidhet deri më 6 tetor, atëherë vendi do të mbajë zgjedhje parlamentare për herë të katërt në dy vjet.

Përgjigjja për nismën e PDK-së pritet këtë javë

PDK-ja e ka lidhur vazhdimin e diskutimeve për presidentin me miratimin e projektligjit të saj për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Pas takimit me Kurtin më 27 shtator, Hamza kishte thënë se nuk kishin diskutuar emra konkretë për president.

“Nuk kemi shkuar për emrat, nuk i kemi folur, nëse kalohet ligji jemi të hapur edhe për tema tjera”, kishte deklaruar ai një ditë më pas.

I pyetur nëse PDK-ja kishte ofruar mbështetje për presidentin në këmbim të miratimit të ndryshimeve ligjore, Kurti tha se nuk kishin diskutuar “këmbim e shkëmbim as të pozicioneve, as të qëndrimeve”.

Për nismën e PDK-së, e cila i është dërguar Qeverisë për mendim më 25 shtator, Kurti tha se vlerësimet juridike dhe financiare pritet të përfundojnë brenda kësaj jave.

Sipas tij, Zyra Ligjore e Kryeministrisë ka kërkuar mendim nga Ministria e Drejtësisë dhe vlerësim financiar nga Departamenti i Buxhetit në Ministrinë e Financave.

“Menjëherë mandej do t’ia japim përgjigjen Kuvendit të Republikës dhe aty do të vazhdojë më tutje procedura”, tha ai.

Ai përsëriti kritikat ndaj aktgjykimit të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilin e cilësoi të padrejtë. Kurti kërkoi një strategji të përbashkët shtetërore dhe angazhim të ekspertizës juridike për procesin e apelit.

Ndërkohë, LDK-ja është shprehur e gatshme të kontribuojë në zgjedhjen e presidentit. Shefja e grupit të saj parlamentar, Jehona Lushaku, tha më 28 shtator se partia nuk ishte në pozitë të deklarohej pro apo kundër një kandidati, por kishte vullnet për zgjidhjen e çështjes.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka refuzuar takimet me Kurtin për presidentin. Deputeti i saj, Ramush Haradinaj, e ka akuzuar kryeministrin se synon ta çojë vendin në zgjedhje të reja.

DW: A do të ndryshohet ligji për Gjykatën Speciale?

GJERMANI- Parlamenti i Kosovës miratoi me një shumicë prej 99 votash një deklaratë lidhur me vendimin e Gjykatës Speciale të Kosovës me seli në Hagë, e cila dy javë më parë dënoi për krime lufte katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi. Deputetët serbë nuk ishin të pranishëm.

Në deklaratë thuhet se Kuvendi shpreh shqetësimin e tij të thellë ndaj vendimit të shkallës së parë kundër katërshës së UÇK-së dhe e “konsideron si të papranueshëm përfundimin për ekzistencën e një qëllimi kriminal të përbashkët”, që përmendet në gjykim.

Prandaj thuhet më tej, “të bindur se respektimi i shtetit të së drejtës përfshin edhe të drejtën dhe përgjegjësinë për të kundërshtuar, me mjete ligjore dhe institucionale, një aktgjykim i tillë vlerësohet i padrejtë nga Kuvendi i Kosovës”.

Rrethana represioni sistematik

Në deklaratën e cila përmban shtatë pika, rikujtohet se “lufta e popullit për liri dhe pavarësi përmes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovëslindi në rrethanat e represionit sistematik dhe krimeve gjenocidale të Serbisë, kur popullit të Kosovës po i mohoheshin të drejtat themelore dhe vetë mundësia për të jetuar i lirë në vendin e tij”.

Më tej në deklaratë përmendet rëndësia vendimtare e ndërhyrjes së NATO-s për ndalimin e dhunës ndaj popullit të Kosovës dhe për çlirimin e vendit.

“Asnjë aktgjykim nuk mund ta zhbëjë të vërtetën historike të luftës në Kosovë. Serbia ushtroi gjenocid e krime kundër njerëzimit”, thuhet më tej në deklaratë.

Strategji shtetërore për mbrojtjen e së vërtetës

Pas vendimit të Hagës parlamenti përmes deklaratës kërkon nga të gjitha institucionet shtetërore të Kosovës që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për mbrojtjen e së vërtetës dhe të pastërtisë së luftës çlirimtare të popullit të Kosovës, duke bërë thirrje për “hartimin e një strategjie të përbashkët shtetërore, në kuadër të së cilës të bashkërendohen veprimet juridike, institucionale dhe diplomatike për mbrojtjen dhe afirmimin e së vërtetës së plotë historike mbi luftën e drejtë për liri dhe çlirim të Kosovës”.

Kuvendi kërkon nga Dhomat e Specializuara të respektojnë mandatin në përputhje me vullnetin e Kuvendit të Kosovës, duke kundërshtuar kështu “çdo përpjekje për të përmbysur të vërtetën historike të Kosovës, për të vënë në dyshim luftën e saj çlirimtare apo për të barazuar popullin që luftoi për liri dhe mbijetesë me regjimin që e shtypi atë”.

Kërkesë për ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale

Më 16 shtator, Gjykata Speciale ish-krerëve të UÇK-së u shqiptoi dënime për krime lufte. Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim. Me 18 vjet burgim u dënua Kadri Veseli dhe me 13 vjet burgim Rexhep Selimi.

Javën e shkuar Partia Demokratike e Kosovës, parti kjo që ngërthen në politikën e saj vlerat e luftës së UÇK-së, i propozoi qeverisë të nisë verfikimin e ndryshimeve te paraqitura në projektligjin për Dhomat e Specializuara apo, siç njihet në opinion, Gjykata Speciale.

Sipas projektligjit ndër të tjera kërkohet që juridiksioni i Gjykatës Speciale të kufizohet vetëm te veprat penale të përmendura në raportin e vitit 2011 të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i cili trajtonte, ndër të tjera, pretendimet për trafikim organesh pas luftës në Kosovë. Projektligji parashikon që edhe periudha kohore që mbulon Gjykata Speciale, nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000, të ndryshohet në periudhën nga 1 korriku i vitit 1999 deri në dhjetorin e vitit 2000. Në projektligj pos neneve të shumta, parashihet edhe që dënimet e Gjykatës Speciale të ekzekutohen në Kosovë dhe personat e dënuar të mos përjashtohen nga e drejta e Presidentit të Kosovës për falje. Ligji akoma nuk ëstë miratuar, por i është paraqitur qeverisë.

Ndryshimi i ligjit për Gjykatës Speciale proces kompleks

Njohësit e çështjeve juridike, nga ana e tyre, thonë se nismat për plotësim dhe ndryshim të ligjit për Dhomat e Specializuara janë tejet komplekse. Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi tha për DW-në se deputetët e Kuvendit kanë të drejtë dhe kompetencë kushtetuese për të iniciuar plotësim dhe ndryshim të Ligjit për Dhomat e Specializuara, por “me kusht që plotësimi dhe ndryshimi i ligjit të mos cenojë detyrimet që ka marrë Kosova në bazë të amendamentit kushtetues të përcaktuar me nenin 162 të Kushtetutës. Po ashtu, çdo plotësim dhe ndryshim i ligjit nuk mund të jetë në kundërshtim me detyrimet ndërkombëtare që ka marrë përsipër Republika e Kosovës”.

Sipas Miftarajt çdo plotësim apo ndryshim i ligjit duhet të bëhet në konsultim dhe bashkëpunim me shtetet kryesore të Këshillit të Bashkimit Evropian apo SHBA-në, në mënyrë që këto ndryshime të kenë efekt dhe të jenë të zbatueshme në praktikë.

Protesta kundër vendimit të Gjykatës Speciale

Që nga shpallja e dënimit për ish-krerët e UÇK-së, në Prishtinë dhe qytete të tjera të Kosovës, çdo ditë vazhdojnë të mbahen protesta kundër vendimit të Gjykatës Speciale. Dhomat e Specializuara, apo siç njihet në opinion Gjykata Speciale, u themeluan nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2015 dhe selinë e ka në Hagë.

Stafi i I saj është komplet ndërkombëtar. Gjykata Speciale trajton vetëm rastet që lidhen me pretendimet për krime të kryera nga pjesëtarë të UÇK-së gjatë luftës së viteve 1998-1999. Gjykata Speciale, përmes një neni të posaçëm, u bë pjesë e Kushtetutës së Kosovës, që u miratua nga dy të tretat e deputetëve të atëhershëm dhe po ashtu nga dy të tretat e deputetëve të pakicave, përfshirë edhe nga përfaqësuesit në Kuvend të serbëve të Kosovës.

Sipas dy neneve të tjera të Kushtetutës mandati i Gjykatës Speciale përfundon vetëm atëherë kur Këshilli i Bashkimit Evropian e njofton Kosovën për përfundimin e mandatit, duke e bërë kështu Gjykatën Speciale një mekanizëm mbi të cilin autoritetet kosovare, me ligjin ekzistues, nuk kanë asnjë kompetencë./DW

Kryeministri Kurti pranoi letra urimi nga kryeministrat e Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, si dhe nga Ambasada e Gjermanisë

 

 

Prishtinë, 28 shtator 2026

 

Në vazhdën e urimeve për formimin e Qeverisë dhe mandatin e ri, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar letra nga kryeministrat e Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, si dhe nga Ambasada e Gjermanisë./Zyra e Kryeministrit

Kuvendi e quan të papranueshëm konstatimin e Speciales për “qëllimin e përbashkët kriminal” nga katërshja e UÇK-së

Seanca e Kuvendit të Kosovës, 28 shtator 2026.

 

Radio Evropa e Lirë

Kuvendi i ri i Kosovës ka miratuar të hënën, në seancën e tij të parë plenare, një deklaratë lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Deputetët thanë se e konsiderojnë “si të papranueshëm përfundimin për ekzistencën e një qëllimi të përbashkët kriminal” të katërshes.

Në foltoren e Kuvendit, kryeparlamentarja Albulena Haxhiu lexoi deklaratën për të cilën ranë dakord Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca dhe Grupi Parlamentar Multietnik.

Kuvendi i Republikës së Kosovës si përfaqësues i qytetarëve dhe shprehje e vullnetit të tyre, shpreh shqetësimin e tij të thellë për aktgjykimin e shkallës së parë kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit;

Konsideron si të papranueshëm përfundimin për ekzistencën e një qëllimi të përbashkët kriminal;

Kërkon nga të gjitha institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për mbrojtjen e së vërtetës dhe pastërtisë së luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës;

Kuvendi bën thirrje për hartimin e një strategjie të përbashkët shtetërore në kuadër të së cilës të bashkërendohen të gjitha veprimet juridike, institucionale dhe diplomatike për mbrojtjen dhe afirmimin e së vërtetës së plotë historike me luftën e drejtë për liri dhe çlirim të Kosovës.

Deklarata e 28 shtatorit u miratua me 99 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Më vonë, Kuvendi zgjodhi nënkryetaren e tij nga radhët e PDK-së, Vlora Çitakun, dhe caktoi anëtarët e komisioneve parlamentare.

Nisma e PDK-së për ndryshime në ligjin për Specialen

Miratimi i deklaratës për Specialen u bë në kohën kur PDK-ja po propozon ndryshime në projektligjin e atyre që zyrtarisht njihen si Dhomat e Specializuara të Kosovës, pas dënimit me gjithsej 81 vjet burgim për krime lufte ndaj Thaçit, Krasniqit, Veselit dhe Selimit.

Projektligji i PDK-së, i propozuar javën e kaluar, kërkon që juridiksioni i Gjykatës Speciale të kufizohet te veprat penale të përmendura në një raport të vitit 2011 të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i cili trajtonte, ndër të tjera, pretendimet për trafikim organesh pas luftës në Kosovë.

Ai parasheh ndryshimin e periudhës kohore që mbulon Specialja: nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000, në periudhën nga 1 korriku i vitit 1999 deri në dhjetorin e vitit 2000.

PDK-ja propozon, gjithashtu, që ndëshkimi maksimal që do të mund ta shqiptonte Gjykata të jetë 15 vjet burgim.

Projektligji parasheh edhe që dënimet të ekzekutohen në Kosovë, dhe që personat e dënuar të mund të jenë subjekt i faljes presidenciale.

Mbështetje kësaj nisme i ka dhënë Aleanca, teksa LVV në pushtet tha se do të shqyrtojë fillimisht në aspektin juridik, ndërsa LDK ende nuk ka një qëndrim zyrtar për këtë.

Më 16 shtator, Specialja dënoi me nga 25 vjet burgim Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin, me 18 vjet burgim Kadri Veselin dhe me 13 vjet burgim Rexhep Selimin.

Pas shqiptimit të dënimit ndaj ish-eprorëve të UÇK-së në Hagë, u organizuan protesta për çdo natë në Prishtinë në kundërshtim të aktgjykimit.

Rezolutat e mëparshme

Në shkurt 2026, Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë që u kërkon Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë të garantojnë gjykim të drejtë dhe të paanshëm, në përputhje me standardet kushtetuese dhe ndërkombëtare dhe duke respektuar të drejtat e të akuzuarve.

Rezoluta kërkonte gjithashtu transparencë dhe llogaridhënie, ndërsa konfirmoi zotimin e Kosovës për mbështetjen financiare të mbrojtjes së të akuzuarve.

Po ashtu edhe në vitin 2016, Kuvendi i Kosovës miratoi Rezolutën për vlerat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), përmes së cilës shprehu qëndrimin se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe se vlerat e saj duhet të ruhen e të mbrohen.

Përmes kësaj rezolute Kuvendi i Kosovës u kishte propozuar institucioneve kompetente që, në përputhje me ligjin për dhënien e dekoratave, t’i dekoronin për merita të veçanta komandantët dhe ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Rezolutat e miratuara në Kuvend pasqyrojnë qëndrim dhe vullnet politik për një çështje, por pa një detyrim ligjor.

PDK-ja e gatshme të diskutojë për presidentin, nëse kalon projektligji për Specialen

Radio Evropa e Lirë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka thënë se nëse miratohet projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, subjekti më i madh opozitar në Kosovë është i hapur të diskutojë për temat e tjera me partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje (LVV).

Në një deklarim për media para seancës së të hënës në Kuvendin e Kosovës, Hamza tha se për këtë projektligj ka diskutuar edhe me kryeministrin Albin Kurti, në një takim të mbajtur të dielën.

Sipas Hamzës, në takimin me kreun e LVV-së, Kurti, është biseduar edhe çështja e zgjedhjes së presidentit, por pa diskutuar rreth emrave të mundshëm.

“Nuk kemi shkuar për emrat, nuk i kemi folur, nëse kalohet ligji jemi të hapur edhe për tema tjera”, tha ai.

Hamza shtoi se duhet pritur ditët në vijim për të kuptuar nëse LVV mbështet këtë projektligj, i cili, sipas tij, është domosdoshmëri për PDK-në dhe prioritet për historinë dhe të ardhmen e Kosovës.

“Ne nuk po kërkojmë që të ndalet drejtësia, ne jemi kundër padrejtësisë”, tha Hamza, ndërsa shtoi se as partitë e tjera nuk kanë arsye për të mos e mbështetur.

PDK-ja dorëzoi projektligjin në Kuvend më 21 shtator, disa ditë pasi ajo që njihet si Gjykata Speciale e Kosovës dënoi me gjithsej 81 vjet burgim për krime lufte katër ish-udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK): Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin.

Në dokumentin e ndryshimeve të propozuara, të cilën e ka parë Radio Evropa e Lirë, kërkohet ndër të tjera, që dënimet më të larta që mund të shqiptohen nga Gjykata në Hagë të jenë 15 vjet burgim dhe që të dënuarit të mund të jenë subjekt i faljes presidenciale.

Mbështetje kësaj nisme i ka dhënë Aleanca, teksa nga LVV-ja thanë se do të shqyrtojnë fillimisht në aspektin juridik, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ende nuk ka një qëndrim zyrtar për këtë.

Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu tha se projektligjin e PDK-së e ka dërguar te një ekip ekspertësh, por ende nuk mund të japë një vlerësim për përmbajtjen e tij.

Megjithatë, ajo pati kritika që për të nuk ka pasur konsultime, duke shtuar se do të ishte më e drejtë që ai të hartohej nga Komisioni për legjislacion ose paraprakisht të konsultohen ekipet mbrojtëse të katërshes së UÇK-së dhe ekspertë të fushës.

Çështja e presidentit

Në një aktgjykim të 23 shtatorit, Gjykata Kushtetuese e Kosovës sqaroi se afati për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit është deri më 6 tetor.

Sipas saj, afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit ka nisur më 8 gusht, nga dita kur u konstituua Kuvendi, dhe përfundon më 6 tetor.

Që nga 4 prilli, Kosova është me ushtrues detyre të presidentit. Ky funksion, sipas Kushtetutës, nuk mund të ushtrohet më shumë se gjashtë muaj.

Pas rundesh të bisedimeve mes LVV-së dhe LDK-së së Lumir Abdixhikut, palët arritën një marrëveshje në fund të gushtit për një president konsensual, dhe dy partitë propozuan për postin e presidentit Bekim Sejdiun.

Por, një ditë pas njoftimit për marrëveshjen u bë e ditur se gjashtë deputetë të LDK-së nuk e përkrahnin këtë kandidaturë – duke bërë që, në praktikë, Sejdiu të mos kishte 81 votat e nevojshme – dy të tretat e Kuvendit me 120 ulëse, që kërkohen për procesin e zgjedhjes së presidentit.

Megjithatë, më 14 shtator Sejdiu njoftoi se tërhiqet nga kandidatura për president për shkak të mbështetjes së pamjaftueshme për zgjedhjen e tij.

Kosova rrezikon të shkojë drejt zgjedhjeve të reja – që do të ishin të katërtat që nga shkurti i vitit 2025 – nëse partitë nuk gjejnë ujdi që ta zgjedhin kreun e ri të shtetit para afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.

Kryeministri Kurti mori letër urimi nga kongresisti amerikan Latimer

 

 

Prishtinë, 27 shtator 2026

 

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar letër urimi nga kongresisti amerikan George Latimer, për konstituimin e Kuvendit, formimin e Qeverisë dhe mandatin e ri si Kryeministër.

 

“Teksa nisni mandatin tuaj të katërt si Kryeministër, pres me kënaqësi të bashkëpunoj ngushtë me ju dhe kolegët tuaj për avancimin e vlerave të përbashkëta të dy vendeve tona, përfshirë demokracinë, sundimin e ligjit dhe prosperitetin ekonomik”, shkroi kongresisti Latimer.

 

Në letrën e tij, kongresisti Latimer theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërpartiak për zgjedhjen e Presidentit të ri, rrjedhimisht shmangies së zgjedhjeve të reja.

 

“I inkurajoj të gjitha partitë politike në Kosovë që të kthehen në tryezën e negociatave për të arritur një marrëveshje për Presidentin e ri, në mënyrë që të shmanget një cikël tjetër i kushtueshëm i zgjedhjeve parlamentare. Siç e dëshmon përvoja e Shteteve të Bashkuara, dialogu i hapur dhe bashkëpunimi ndërmjet partive në çështje të interesit kombëtar janë thelbësore për përparimin e një shoqërie demokratike”, shkroi ai. /Zyra e Kryeministrit

Shtëpia e gazetarit investigativ Vudi Xhymshiti e djegur më 1999 nga pushtuesi serb, ridigjet për shkak të profesionit të tij

I është vënë zjarri shtëpisë së gazetarit investigativ Vudi Xhymshiti, i cili vijon të mbetet shënjestër e segmenteve ekstremiste që i dërgojnë kërcënime me jetë prej gazetarisë së tij profesionale që fokusohet tek tema tabu, të ndaluara deri më tani të hulumtohen në Kosovë, por që Gjykata Speciale i ka sjellë fakte ku u mbështet gjykimi që solli edhe vendimin e shkallës së parë për Katërshen e liderëve të Krahut të Luftës.

Lajmin që i kishinn vënë zjarrin shtëpisë së prindërve e dha i pari Xhymshiti e pastaj edhe platforma mediatike Kallxo.com që po e sjellim të plotë si më poshtë:

“Një bodrum i një shtëpie është përfshirë nga zjarri në fshatin Livoç i Poshtëm të Gjilanit.

Shtëpia raportohet se është pronë e familjes së gazetarit Vudi Xhymshiti.

KALLXO.com ka qenë në vendin e ngjarjes më 26.09.2026, ku ka parë se nga zjarri është përfshirë bodrumi i shtëpisë.

Sipas informacioneve, brenda këtij bodrumi ndodhej edhe një veturë e viteve ’80, e cila është djegur nga zjarri që ka përfshirë bodrumin.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e hetimeve në nivel të stacionit policor dhe ato të hetimeve rajonale.

Siç ka marrë vesh KALLXO.com, rasti është raportuar në polici nga motra e gazetarit Vudi Xhymshiti.

Sipas Policisë, rasti është raportuar të shtunën, më 26.09.2026, rreth orës 15:45, ndërsa shtëpia ku ka ndodhur zjarri ishte e pabanuar.

“Si pasojë e zjarrit janë shkaktuar dëme materiale në bodrumin e shtëpisë, ku ndodheshin një veturë, mjete pune dhe disa orendi shtëpiake”- thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të Policisë për rajonin e Gjilanit, Valon Osmani.

Ai ka thënë se koha e saktë kur kishte ndodhur zjarri nuk është përcaktuar.

“Njësitet relevante të Policisë së Kosovës, përfshirë hetuesit dhe zyrtarët e Krimteknikës Rajonale kanë dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa në vendngjarje ka dalë edhe eksperti për zjarre”- ka deklaruar Osmani.

Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, Policia ka iniciuar rast për hetime në drejtim të veprës penale “Zjarrvënie”.

Ndërkohë, gazetari Vudi Xhymshiti ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, duke pretenduar se zjarri në shtëpinë e prindërve të tij në Gjilan mund të jetë i lidhur me punën e tij si gazetar.

Xhymshiti ka shkruar se kjo shtëpi ishte djegur edhe në vitin 1999 gjatë luftës në Kosovë.

“Ky është shtëpia e prindërve të mi të ndjerë. Sot është e djegur përsëri…Për mua, ky sulm lidhet drejtpërdrejt me punën time si gazetar dhe me përpjekjen për të më frikësuar e heshtur”- ka shkruar ai më 26.09.2026.

Gazetari ka kërkuar që rasti të hetohet nga autoritetet dhe ka thënë se nuk do të ndalet në punën e tij.

Shënim: Më 26.09.2026, në ora 20:07, artikulli është edituar dhe i është shtuar përgjigja dhe konfirmimi zyrtar i Policisë së Kosovës. Po ashtu, fjala garazh është zëvendësuar me fjalën bodrum, duke ju referuar konfirmimit zyrtar të Policisë së Kosovës.

Nëntë të arrestuar për krime lufte në Zubin Potok lidhur me rastin e “Grupit të Intelektualëve”

Radio Evropa e Lirë

Gjatë një operacioni të zhvilluar në Zubin Potok, nëntë persona janë arrestuar nën dyshime për krime lufte kundër popullatës civile, thanë autoritetet. Operacioni ndërlidhet me rastin e njohur si “Grupi i Intelektualëve”.

Sipas Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës operacioni i koduar “Dosja 23” u realizua në orët e hershme të mëngjesit të 27 shtatorit në Zubin Potok, në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Autoritetet nuk dhanë më shumë detaje për këtë operacion.

Megjithatë, ai vjen pasi më 19 shtator u konfirmua, përmes analizës së ADN-së, se mbetjet mortore të tri viktimave të gjetura në varrezat masive në Zubin Potok, i përkisnin “Grupit të Intelektualëve”.

Më vonë, familjarët konfirmuan se njëri nga viktimat e identifikuara ishte Idriz Rrecaj.

“Grupi i Intelektualëve” përbëhej kryesisht nga qytetarë nga Skenderaj dhe Mitrovica, të cilët, sipas autoriteteve në Kosovë, ishin rrëmbyer dhe zhdukur me dhunë më 19 prill 1999 nga forcat serbe.

Në mesin e 23 personave të këtij grupi shqiptarësh kishte veprimtarë, profesionistë dhe figura publike nga zona e Mitrovicës, të cilët u zhdukën në zonën e Zubin Potokut.

Në gusht të këtij viti, autoritetet kryen gërmime në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut ku zbuluan tri varreza masive dhe u gjetën mbetjet mortore të të paktën 23 persona. Më pas, mostrat e mbetjeve të mortore u dërguan në Hagë të Holandës për identifikim përmes ADN-së.

Sipas kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, pritet që në “javët në vijim” Kosova të pranojë rezultatet edhe për mostrat e tjera që u dërguan në Hagë për ekzaminim.

Varrezat në Zubin Potok u zbuluan pas një hetimi dyvjeçar lidhur me dyshimet për krime lufte, sipas Prokurorisë Speciale.

Paraprakisht për këtë rast janë arrestuar katër persona, të identifikuar me iniciale J.R., M.J., R.K dhe M.B., të cilët janë të dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile.

Që të katër ndodhen në paraburgim.

Njëri nga të arrestuarit, sipas autoriteteve, dyshohet se në kohën e luftës kishte qenë pjesë aktive e Armatës Jugosllave.

Sipas Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, 1.577 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur nga lufta e viteve 1998-1999, ndërsa janë dokumentuar gjithsej 12.230 viktima të luftës.

Kosova ka kërkuar vazhdimisht nga Serbia bashkëpunim për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe qasje në arkivat ushtarake që sipas autoriteteve mund të ndihmojnë në identifikimin e lokacioneve të varreve të mundshme.

Ku është Policia dhe Prokuroria e Kosovës: Vudi Xhymshiti përsëri në shenjestër të nxitësit Patriot Ibrahimi

Komunikim për mediat:

P. Ibrahimi u ndalua nga policia pas videos që fliste për vrasjen e Xhymshitit. Pas lirimit, Ibrahimi rikthehet; nën postimin e tij shfaqen sërish referenca nxitje dhune dhe vrasje ndaj Xhymshitit

Sep 26

Pas ndalimit për videon me “plumbin në ballë”, Patriot Ibrahimi rikthehet me një publikim të ri ndaj Vudi Xhymshitit; kërkojmë që Policia dhe Prokuroria ta trajtojnë kronologjinë si një tërësi.

LONDËR, 26 shtator 2026 — The Frontline Media Group kërkon nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë që publikimi më i fundit¹ i llogarisë “Patriots H Brahimi”, së bashku me komentet që ai ka gjeneruar, të administrohen si material i ri në kuadër të vlerësimit penal të kërcënimeve dhe shënjestrimit të themeluesit dhe kryeredaktorit tonë, Vudi Xhymshiti.

Kjo kërkesë nuk mbështetet në hamendësime. Ajo mbështetet në një kronologji që tashmë e përmban një video² me referenca eksplicite ndaj vdekjes dhe plumbit, ndërhyrjen e Policisë së Kosovës, ndalimin e një të dyshuari dhe tani një publikim të ri që e vendos përsëri Xhymshitin përpara një audience ku janë shfaqur komente që flasin për vrasje, hakmarrje, “spiunë”, “UDB-ashë” dhe armiq të UÇK-së.

Sipas raportimit publik të 19 shtatorit, një 32-vjeçar i identifikuar si Patriot Ibrahimi ishte intervistuar nga hetuesit e krimeve të rënda lidhur me një publikim në Facebook që kishte në shënjestër ministren Donika Gërvalla dhe Vudi Xhymshitin. Çështja iu referua prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe u raportua se i dyshuari ishte ndaluar për 48 orë nën dyshimin për veprën e kanosjes. (Insajderi)

Materiali që shkaktoi këtë ndërhyrje ishte i drejtpërdrejtë. Në videon e publikuar më 17 shtator, fotografitë e Vudi Xhymshitit dhe Donika Gërvallës shoqëroheshin me fjalët: “Këta shpiunat n’ballë e kanë t’shkrune shpiun, edhe qashtu kanë me dek, edhe pikë.”

Më pas dëgjohej një zë gruaje: “Po qaty ku ju shkrun shpiun n’ballë, e kanë edhe nifar pike, për me kallxu ku me rrok plumi.”

Në shqipen e Kosovës, kuptimi është i qartë: personat e paraqitur etiketohen “spiunë”, thuhet se “do të vdesin” dhe përshkruhet një pikë në ballë që tregon se ku duhet të godasë plumbi.

Pas këtij publikimi, Xhymshiti reagoi publikisht duke thënë se, nëse vritej, ai do t’i konsideronte përgjegjës për krijimin e kësaj atmosfere personat që kishte emërtuar dhe se, përballë një rreziku të tillë, ai nuk do të qëndronte i pambrojtur³. Ky reagim tani po shkëputet nga shkaku i tij dhe po paraqitet nga Ibrahimi si kërcënim ndaj tij dhe familjes së tij.

The Frontline Media Group e sqaron kategorikisht këtë pikë: Vudi Xhymshiti nuk ka bërë thirrje për vrasjen, sulmin apo lëndimin e Patriot Ibrahimit apo të familjes së tij. Deklarata e Xhymshitit ishte reagim ndaj publikimit të vetë Ibrahimit kua ai kishte bërë thirrje më parë për vrajsen Xhymshitit ku Ibrahimi kishte bërë shenjimin e tij dhe vendin ku duhet ta godiste plumbi Xhymshitin. Prandaj, referenca e Xhymshitit ndaj familjes, shtetit dhe strukturave përgjegjëse për sigurinë e tij ishte deklarim se ai do të mbrohej përballë një rreziku të perceptuar ndaj jetës së tij. Çdo vlerësim juridik për formulimin konkret, natyrisht, i takon autoriteteve.

Publikimi i ri dhe komentet që e pasuan

Në publikimin e tij të ri, “Patriots H Brahimi” shkruan, ndër të tjera: “Xhymsho a me marrë seriozisht këtë kërcënimin tëndin?”, pyet nëse duhet të frikësohen “10 anëtarët e ngushtë të familjes” dhe pretendon se Xhymshiti ia ka cenuar “të drejtat e protestës së UÇK-së”. Ai e përfundon postimin duke iu referuar Policisë së Kosovës.

The Frontline Media Group nuk e kundërshton të drejtën e Ibrahimit për t’iu drejtuar Policisë. Përkundrazi, çdo person që pretendon se është kërcënuar duhet t’i drejtohet autoriteteve dhe t’ua dorëzojë atyre materialin e plotë. Por materiali i plotë në këtë rast duhet të përfshijë edhe videon që i parapriu reagimit të Xhymshitit, për të cilën vetë Ibrahimi raportohet se është ndaluar dhe intervistuar.

Problemi i ri është ajo që ka ndodhur nën publikimin e tij.

Në provat e ruajtura nga redaksia jonë, Ardi Sh Heta shkruan: “kush merr hak more për ket qen”, dhe vazhdon me një referencë se dikush mund t’ua “hjek qafe”. Ylber Thaçi e quan Xhymshitin “mut” dhe sulmon edhe familjen e tij. Ramis Ukaj, në një koment që në pamjen e ruajtur rezulton i shënuar me reagim nga autori i postimit, përdor një sharje homofobike dhe e quan Xhymshitin “UDB-ash”. Fatmir Brava i kërkon autorit të mos merret me “ket Vud UDB-ashin”. Nazmi Kelmendi e përshkruan Xhymshitin si “UDB-sh” dhe “spiun”. Këto janë formulime të dokumentuara në materialet që do t’u vihen në dispozicion autoriteteve.

Në një seri tjetër komentesh, Ilir Alija shkruan se Xhymshiti “e ka vendin te Fatmir Sheholli udbasha”. Valon Xh Balaj përdor gjuhë poshtëruese kundër atyre që, sipas tij, janë kundër UÇK-së. Kastriot Bala e quan Xhymshitin “bir qeni” dhe i referohet pranisë së tij në Hagë. Xhem Baruti Lamallari përdor sharje të rënda ndaj familjes së tij “Legen “burr” he daden n’qipk ia shkerdhefsha!”.

Më serioze janë komentet që kalojnë nga fyerja në referenca konkrete ndaj dhunës. Berisha Irfan shkruan se Xhymshiti dhe personat e tjerë që ai ka përmendur “veç b*llet mundet me jav hanger” dhe pyet se kush do të “marrë hak”. Besnik Hasanaj shkruan: “Perfekt. Tash shkjet e vrasin. Sikur me Dick (shit-muti) Marti qe deshen vet shkjet mene vra pas raportit te rrejshemnkunde UÇK-se!”

Analysis VN shkruan: “Ma para ka met myt Sarillaku se qiky Xhymsha…” — formulim që, në kuptimin e zakonshëm të shqipes së Kosovës, paraqet vrasjen e Xhymshitit si diçka që mund të ndodhë pas vrasjes së një personi tjetër.

The Frontline Media Group nuk pretendon se Patriot Ibrahimi i ka shkruar këto komente dhe as se ekzistenca e tyre, pa prova të tjera nuk e vërteton se ai i ka urdhëruar, koordinuar apo miratuar. Përgjegjësia penale është individuale dhe duhet të përcaktohet mbi prova.

Por ekziston një fakt që Prokuroria duhet ta marrë seriozisht: personi që raportohet se ishte ndaluar për një publikim me referenca ndaj plumbit dhe vdekjes së Xhymshitit e ka vendosur përsëri Xhymshitin në qendër të një publikimi publik, dhe nën atë publikim janë shfaqur përsëri komente që e përshkruajnë si “spiun”, “UDB-ash” dhe që flasin për vrasjen ose hakmarrjen ndaj tij.

Kjo është arsyeja pse publikimi i ri nuk duhet vlerësuar në vakum.

Konteksti që i paraprin 17 shtatorit

Për Prokurorinë është relevante edhe kronologjia më e gjerë. Më 10 qershor 2026, figura e lartë e PDK-së Elmi Reçica njoftoi publikisht se kishte paraqitur padi civile dhe kallëzim penal kundër Xhymshitit, duke pretenduar rrejshëm kërcënime ndaj tij dhe familjes dhe shpifje të vazhdueshme. Këto ishin pretendime të Reçicës, jo konstatime gjyqësore⁴. (The GPC)

Nën atë publikim, redaksia jonë dokumentoi një model të ngjashëm. Bekim Mani sugjeronte që t’i dërgohej Xhymshitit “nji njeri t’mirë” për ta lënë invalid. Xhevdet Sokoli shkruante se persona të tillë “duhet me denu me denim me varje në mes të Prishtinës”. Rexhep Sadiku e quante Xhymshitin “VUDI UDBASHIN”; Labinot Baraliu e quante “mbeturinë e UDB-së serbe”; Granit Grana Pasjaqa shkruante “Vudi asht zagar”; ndërsa Petrit Gashi e quante “zagari i Serbisë” dhe “UDB-ash”. Një pjesë e këtij materiali është dokumentuar në raportimin e publikuar në qershor. (The GPC)

Edhe aty Frontline Media Group bëri dallimin që po bën sot: komentet e mbështetësve nuk provojnë se Reçica i ka urdhëruar ato. Por ato janë relevante për të kuptuar krijimin dhe përsëritjen e një fjalori ku gazetari nuk kundërshtohet për raportimin e tij, por etiketohet si “spiun”, “UDB-ash”, “serb” dhe person që meriton dhunë.

Më 16 shtator, një ditë përpara videos së “Patriots H Brahimi”, Xhymshiti dhe redaktori politik i The Frontline Media Group, Michael Sheppard, u përballën me një situatë të tensionuar gjatë raportimit jashtë Dhomave të Specializuara në Hagë. Raportime të asaj dite konfirmojnë se pati tensione rreth Xhymshitit dhe se ai deklaroi se autoritetet holandeze ndërhynë për sigurinë e tij⁵.

Në të njëjtën ditë, Hysni Gucati e identifikoi publikisht Xhymshitin përpara protestuesve, e quajti “spiun” dhe u kërkoi të pranishmëve të mos merreshin me të dhe të largoheshin prej tij. Për autoritetet hetimore është me rëndësi të përcaktohet nëse dhe si kjo retorikë publike lidhet me materialet që u shfaqën më pas. The Frontline Media Group nuk pretendon pa prova se Gucati e ka porositur videon e 17 shtatorit.

Pastaj, më 17 shtator, vjen videoja e Patriot Ibrahimit me Xhymshitin dhe Donika Gërvallën: “spiun”, “kanë me dek”, “ku me rrok plumi”.

Më 18 shtator, sipas raportimit publik, Ibrahimi intervistohet nga hetuesit e krimeve të rënda dhe, me urdhër të prokurorit, ndalohet për 48 orë. (Sinjali)

Dhe tani, pas lirimit të tij të raportuar, e kemi publikimin e ri dhe një valë të re komentesh që e rikthen të njëjtin fjalor dhe, në disa raste, referenca të reja ndaj vrasjes.

Ky është konteksti që duhet t’i dorëzohet Prokurorisë.

Çfarë duhet të shqyrtojë Prokuroria

The Frontline Media Group nuk e shpall askënd fajtor dhe nuk kërkon burgim jashtë procedurës ligjore. Por kërkojmë që prokurori ta vlerësojë materialin e ri në kuadër të procedurës ekzistuese, nëse ajo vazhdon, dhe ta shqyrtojë nëse faktet i plotësojnë elementet e kanosjes, ngacmimit apo ndonjë vepre tjetër penale.

Kodi Penal i Republikës së Kosovës është konsoliduar dhe publikuar në Gazetën Zyrtare më 6 shkurt 2026. (Gazeta Zyrtare) Dispozitat penale për kanosjen mbulojnë, në kushtet e përcaktuara nga ligji, kanosjen serioze me fjalë, vepra apo gjeste, përfshirë kanosjen për privim nga jeta. Zbatimi i dispozitës ndaj këtyre fakteve konkrete i takon prokurorit dhe gjykatës, jo redaksisë sonë.

Po aq e rëndësishme është çështja e masave procedurale. Neni 184 i Kodit të Procedurës Penale i përcakton kushtet në të cilat gjykata mund të caktojë paraburgimin, ndërsa vazhdimi i paraburgimit kërkon kërkesë të Prokurorit të Shtetit dhe vendim të gjyqtarit. (Gazeta Zyrtare)

Prandaj The Frontline Media Group nuk thotë se “Patriot Ibrahimi duhet të futet në burg” si një vendim të marrë nga ne. Ne kërkojmë që Prokuroria ta administrojë menjëherë materialin e ri dhe ta vlerësojë nëse sjellja e raportuar pas lirimit krijon bazë ligjore për kërkimin e masave të reja ose më të rrepta. Nëse kushtet ligjore plotësohen, është gjykata ajo që duhet të vendosë.

Do të kërkojmë gjithashtu që të ruhen të dhënat elektronike përpara se të fshihen, të sigurohet videoja origjinale dhe metadata e saj, të identifikohen autorët e zërave, të dokumentohen publikimet dhe komentet pasuese, dhe të shqyrtohet nëse ekziston komunikim apo koordinim ndërmjet personave relevantë. Komentet që përmbajnë referenca ndaj vrasjes duhet të vlerësohen individualisht për përgjegjësinë e autorëve të tyre.

Përpjekja për ta përmbysur kronologjinë nuk e ndryshon provën

Kjo çështje nuk mund të fillojë me postimin mbrojtës të Vudi Xhymshitit. Ajo fillon me materialin që e shkaktoi atë.

Xhymshiti nuk e publikoi fotografinë e Patriot Ibrahimit duke treguar se ku duhet ta godasë plumbi. Fotografia e Xhymshitit dhe e Donika Gërvallës u përdor në videon që e përmbante atë gjuhë.

Xhymshiti nuk tha se Ibrahimi “ka me dek”. Në materialin e publikuar nga llogaria e Ibrahimit thuhej se personat e paraqitur “kanë me dek”.

Xhymshiti nuk kërkoi që dikush ta sulmonte familjen e Ibrahimit. Ai tha se, përballë një kërcënimi që e perceptonte si serioz ndaj jetës së tij, familja dhe institucionet përgjegjëse për sigurinë e tij nuk do ta linin të pambrojtur Xhymshitin.

Nëse Patriot Ibrahimi pretendon se edhe ai është kërcënuar, ka të drejtë absolute t’ia paraqesë këtë Policisë. Por ai nuk ka të drejtë ta fshijë nga kronologjia videon që i parapriu përgjigjes dhe pastaj ta paraqesë përgjigjen sikur të kishte lindur nga asgjëja.

The Frontline Media Group tani do ta plotësojë materialin që u është dorëzuar ose do t’u dorëzohet autoriteteve me publikimin e ri, komentet e Ardi Sh Hetës, Ylber Thaçit, Ramis Ukajt, Fatmir Bravës, Nazmi Kelmendit, Ilir Alijës, Kastriot Balës, Berisha Irfanit, Besnik Hasanajt, Analysis VN dhe materialet e tjera relevante të ruajtura nga redaksia. Emërtimi i këtyre personave këtu dokumenton autorësinë e dukshme të komenteve në pamjet e ruajtura nga ne nuk është konstatim i fajësisë penale të tyre.

Kërkesa jonë ndaj Policisë së Kosovës dhe Prokurorit të Shtetit është konkrete: mos e hetoni vetëm postimin e fundit. Hetojeni kronologjinë. Ruajeni provën. Vlerësojeni secilin autor individualisht. Shqyrtojeni përsëritjen e sjelljes pas ndërhyrjes së Policisë. Dhe, nëse standardet ligjore për masa të mëtejshme plotësohen, kërkojini gjykatës t’i vendosë ato.

Kjo është rruga e ligjit.

Dhe kjo është pikërisht rruga që Frontline Media Group do të ndjekë

Gërvalla: S’kam bashkëpunuar me Specialen, po punoj për betejën ligjore në Apel

Radio Evropa e Lirë

Ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Donika Gërvalla, mohoi se ka bashkëpunuar me Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe tha se deklarata të tilla tashmë janë bërë “bozë”. Ajo u shpreh se që nga dita e aktgjykimit ndaj katërshes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, po punon për instancën e radhës, atë të apelimit të vendimit.

Në një konferencë për media në Prishtinë më 26 shtator, Gërvalla po ashtu hodhi poshtë kritikat se ka heshtur ndaj dënimit për krime lufte të katërsesh së UÇK-së.

“Deklaratat që më lidhin mua në çfarëdo forme me bashkëpunimin tashmë janë bërë bozë sepse i kam shpjeguar disa herë. Nuk ka, në asnjë hallkë, as me UNMIK-un, as me EULEX-in, as me Gjykatën Speciale nuk ka asnjë pikëtakim timin as direkt as indirekt. Mirëpo edhe pak durim duhet të kemi sepse aktgjykimi do të vijë shpejt dhe do ta shohim shumë shpejt”, tha Gërvalla.

 

Organizata e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më 18 shtator artikuloi kërkesën drejtuar Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti për shkarkimin e Gërvallës, mes kritikave për mosdeklarim të saj lidhur me aktgjykimin.

Kreu i kësaj organizate, Hysni Gucati, gjatë një proteste të mbajtur po atë ditë tha se “ne e dimë që Gërvalla ka dorëzuar dokumentacione në Hagë”, duke shtuar se kryeministri Albin Kurti “duhet nga sot të largojë nga Qeveria njerëz si ajo”.

Akuzat se Gërvalla ka bashkëpunuar me Specialen janë të kahershme, dhe ajo disa herë i kishte mohuar të njëjtat.

“Unë nuk kam heshtur, unë jam ministre e Drejtësisë. Kryeministri ka dhënë një deklaratë në emër të Qeverisë, ndërsa unë së bashku me ekipin tim, qysh ditën e parë i jam futur punës me qëllim që të përgatitemi për një betejë sepse çështja e Gjykatës Speciale është betejë ligjore, nuk është betejë deklaratash në media. Dhe, si betejë ligjore, ne duhet të jemi profesionistë, të mençur, me kokë të ftohtë, pa shumë britma, duhet të përgatitemi për instancën e ardhshme”, tha Gërvalla.

Sa i përket thirrjes për dorëheqje apo shkarkim të saj, Gërvalla tha se secili qytetar mund të kërkojë dorëheqjen e ndonjë ministri, pasi Kosova është vend demokratik.

Lidhur me protestat e vazhdueshme kundër vendimit të Dhomave të Specializuara, Gërvalla tha se përveç një “zhgënjimi” në ditën e parë të protestave, pra më 16 shtator, tani ajo janë “dinjitoze” dhe po barten nga qytetarët. Megjithatë, ajo tha se e sheh më të udhës që të punojë për çështjen e apelimit të vendimit sesa të marrë pjesë në protestë.

Ish-eprorët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi u dënuan për krime lufte në shkallën e parë të mekanizmit të drejtësisë në Hagë, që njihet edhe si Gjykata Speciale. Mbrojtja ka nisur procedurat e apelimit të aktgjykimit me të cilin iu shqiptuan 81 vjet burgim të katërve, marrë së bashku.

Që atëherë në Kosovë, por edhe në vende të tjera të Evropës po mbahen vazhdimisht protesta kundër vendimit.

Partia Demokratike e Kosovës ka iniciuar në Kuvend një projektligj për ndryshimin e ligjit për Specialen, i cili është proceduar në Qeveri për mendim.

Gërvalla tha se ekipi i ekspertëve në Ministri të Drejtësisë po punon që të japë opinion për këtë çështje.

“Kur ta kemi gati do t’ia dërgojmë Qeverisë opinionin tonë. Nuk do ta vonojmë, shpejt do ta dërgojmë. Por, as nuk duam të nxitohemi e ta paguajmë me cilësi të munguar e gabime të papranueshme. Më shumë sesa për fjalë, kemi nevojë për bashkëpunim e bashkërendim, analizë e ekspertizë me qëllim që në fund të fitojë drejtësia”, tha ministrja.

Sipas saj, po analizohet se cilët mekanizma të propozuar janë “funksionalë, e cilët eksperimentalë”, duke shtuar se për këtë çështje, në MD, po punojnë në mënyrë intensive.

Në dokumentin e ndryshimeve të propozuara nga PDK-ja, të cilën e ka parë Radio Evropa e Lirë, kërkohet ndër të tjera, që dënimet më të larta që mund të shqiptohen nga Gjykata në Hagë të jenë 15 vjet burgim dhe që të dënuarit të mund të jenë subjekt i faljes presidenciale.

Nisma është mbështetur nga Aleanca, ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje në pushtet ka thënë se do ta analizojë atë në aspektin juridik, përfshirë edhe përputhshmërinë e tij me kornizën ligjore në fuqi dhe “efektet që një ndërhyrje e tillë eventualisht mund të ketë në këtë fazë të procedurave pranë Dhomave të Specializuara”.

Qeveria e Kosovës është zotuar se do të angazhohet në fazën e Apelit për, siç ka thënë kryeministri Kurti, “korrigjuar” vendimin, e cilësuar si të padrejtë, ndaj katërshes së UÇK-së.

Presidenti- Hamza: Do i përshtatim qëndrimet pasi jemi në rrethana të reja, i gatshëm për takime

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka thënë se vendi është në rrethana të reja, që nuk ka të bëjë veç me te kaluarën, kur u pyet mbi çështjen e presidentit.

Ai në një deklaratë pas mbledhjes së Këshillit Drejtues të kësaj partie, deklaroi se në bazë të këtyre rrethanave, kjo parti i ndërron dhe përshtat qëndrimet e tyre.

“Jemi në rrethana të reja. Jemi në rrethana të reja, jemi në gjendje të re, një gjendje që nuk ka të bëjë veç me të kaluarën, nuk ka të bëjë me individë, ka të bëjë me shtetin dhe ka të bëjë me të ardhmen e shtetit. Dhe mbi bazën e këtyre rrethanave të reja ne normalisht se i ndërrojmë edhe i përshtatim edhe qëndrimet tona për çështje të cilat kanë të bëjnë me të ardhmen dhe me stabilitetin e shtetit”, tha Hamza.

Hamza u shpreh se është gati për takime me liderët e partive politike.

“Nuk muj me folë mbi hipotetike, para se me ardhë kjo temë. Unë jam taku dhe jam i gatshëm me u taku, jam taku me kryetarët e tri partive politike, edhe me zotin Kurti, edhe me zotin Abdixhiku, edhe me zotin Gjini, jam në komunikim dhe është krejt normale që për tema kaq të rëndësishme, sfiduese e kaq të rëndësishme për vendin që të ketë takime”, u shpreh Hamza.sn

Kurti: Zgjedhjet e reja janë të panevojshme e të kushtueshme

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se nëse Kuvendi nuk arrin ta zgjedhë presidentin e ri deri më 6 tetor, vendi do të shkojë sërish në zgjedhje.

Duke folur në mbledhjen e dytë të Komitetit Drejtues për Instrumentin RGF/Planin e Rritjes, Kurti tha se zgjedhjet e reja do të jenë të panevojshme dhe të kushtueshme.

“Nëse nuk do t’ia arrijmë të zgjedhim president të ri, do të shkojmë sërish në zgjedhje, që do të jenë zgjedhjet e katërta në më pak se dy vite”, tha Kurti.

Ai theksoi se Kuvendi aktual, i cili tashmë ka kryetar dhe Qeveria është e zgjedhur, mund ta zgjedhë presidentin.

“Ne tashmë kemi kryetarin e Kuvendit dhe kemi qeveri të zgjedhur, dhe ky Kuvend mund t’i japë vendit president apo presidente”, u shpreh ai.

Kurti tha se në Kosovë nuk ka zgjedhje presidenciale, pasi presidenti zgjidhet nga Kuvendi.

“Pse të shkojmë sërish në zgjedhje për të konstituar sërish Kuvendin, i cili nuk arrin të zgjedhë President? Nuk duhet të shkojmë vazhdimisht në zgjedhje vetëm për të konstatuar rezultatet e njëjta”, tha Kurti.

Ai gjithashtu foli për reformat në kuadër të Planit të Rritjes, duke thënë se për shkak të bllokadës në Kuvend nuk do të humbet asnjë reformë e paraparë, por mund të humbin mjetet e dedikuara për to, shkruan RTK.

Kushtetuesja: Qeveria u zgjodh në përputhje me Kushtetutën, presidenti duhet të zgjidhet deri më 6 tetor

Radio Evropa e Lirë

Gjykata Kushtetuese e Kosovës tha Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, u zgjodh në përputhje me Kushtetutën, teksa sqaroi se afati për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit është deri më 6 tetor.

Sa i përket zgjedhjes së presidentit, Gjykata tha po ashtu se afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit ka nisur më 8 gusht dhe përfundon më 6 tetor.

Njoftimi nga gjykata më e lartë në vend vjen pasi Partia Demokratike e Kosovës kontestoi edhe konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë.

Kushtetuesja po ashtu rrëzoi kërkesën për vendosjen e masës së përkohshme për punimet e Kuvendit.

Sa i përket Kuvendit – që u konstituua më 13 shtator dhe disa orë më vonë u zgjodh edhe Qeveria – Kushtetuesja tha se deputetët duhet të zgjedhin edhe nënkryetarin e dytë, duke konstatuar se organi ligjvënës u konstituua përtej afatit 30- ditor.

Më 13 shtator, pa praninë e deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ata të komuniteteve joshumicë votuan për konstituimin e Kuvendit.

Më vonë gjatë ditës u votua edhe Qeveria e re, e udhëhequr nga Albin Kurti. Kabineti qeverisës është po i njëjti me atë të kaluarin dhe të pranishëm në seancën për zgjedhjen e Qeverisë nuk ishin PDK-ja, LDK-ja dhe Aleanca.

Njohësi i çështjeve politike, Ilir Deda, shkroi menjëherë pas publikimit të vendimit të Kushtetueses se Gjykata “e ktheu në binarë ligjshmërie” konstituimin e institucioneve pas zgjedhjeve.

“Gjithashtu, e prishi matematikën e zgjedhjeve për 27 dhjetor. Tash që gjithçka është e qartë, po presim të shohim a ka çfarëdo mundësie për çfarëdo përbashkimi në këtë situatë – më të vështirën në këto 15 vjetët e fundit”, shkroi ai në Facebook.

Partitë opozitare kishin fajësuar LVV-në e Albin Kurtit se po zvarriste konstituimin e institucioneve në mënyrë që votimet e reja të mbaheshin në fund të vitit.

Çështja e presidentit

Çështja e presidentit ka qenë temë kyç tash e një kohë në Kosovë, pasi për shkak të moskonsensusit për zgjedhjen e një kreu të ri të shtetit u mbajtën edhe votimet e qershorit.

Që nga 4 prilli, Kosova është me ushtrues detyre të presidentit. Ky funksion, sipas Kushtetutës, nuk mund të ushtrohet më shumë se gjashtë muaj.

Pas rundesh të bisedimeve mes LVV-së të Albin Kurtit dhe LDK-së së Lumir Abdixhikut, palët arritën një marrëveshje në fund të gushtit për një president konsensual, dhe dy partitë propozuan për postin e presidentit Bekim Sejdiun.

Por, një ditë pas njoftimit për marrëveshjen u bë e ditur se gjashtë deputetë të LDK-së nuk e përkrahnin këtë kandidaturë – duke bërë që, në praktikë, Sejdiu të mos kishte 81 votat e nevojshme – dy të tretat e Kuvendit me 120 ulëse, që kërkohen për procesin e zgjedhjes së presidentit.

Pavarësisht kundërshtimit të gjashtë deputetëve të LDK-së, Kurti insistoi se marrëveshja ende qëndronte.

Megjithatë, më 14 shtator Sejdiu njoftoi se tërhiqet nga kandidatura për president për shkak të mbështetjes së pamjaftueshme për zgjedhjen e tij.

Kosova rrezikon të shkojë drejt zgjedhjeve të reja – që do të ishin të katërtat që nga shkurti i vitit 2025 – nëse partitë nuk gjejnë ujdi që ta zgjedhin kreun e ri të shtetit deri më 6 tetor, afatin e përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.

Si u konstituua Kuvendi?

Në një aktgjykim të mëparshëm, Kushtetuesja kishte thënë se Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30-ditësh nga certifikimi i rezultatit zgjedhor. Ky afat përfundoi më 7 gusht.

Lëvizja Vetëvendosje, fituesja e zgjedhjeve të qershorit, kishte argumentuar se afati 30-ditor kishte nisur më 6 gusht, kur nisi edhe seanca konstituive. Megjithatë, edhe ky afat u tejkalua, mes argumentimit nga LVV-ja se kërkohej një marrëveshje për çështjen e presidentit para se të lëvizej përpara me konstituimin e Kuvendit.

Seanca nisi më 6 gusht, por u ndërpre shpejt, pasi kreu i LVV-së, Albin Kurti, kërkoi kohë shtesë për bisedime për çështjen e presidentit. Kërkesë të ngjashme ai bëri edhe në vazhdimin tjetër të seancës që u mbajt pas 48-orësh.

Kuvendi nuk e vazhdoi këtë seancë deri më 9 shtator, kur deputetët u mblodhën dhe rizgjodhën në krye të organit ligjvënës Albulena Haxhiun. Por, në atë seancë për shkak të mospajtimeve të pesë nënkryetarët nuk u zgjodhën.

Në vazhdimin e seancës së 11 shtatorit, u zgjodh nënkryetari nga radhët e LVV-së Ardian Gola, por jo edhe Vlora Çitaku e PDK-së – fuqisë së dytë politike në vend.

LVV-ja tha se nuk mund të jepte vota për Çitakun dhe Kujtim Shalën e LDK-së, që sipas saj, synojnë ta çojnë vendin në zgjedhje.

Më vonë, LVV-ja ndryshoi mendim dhe më 13 shtator votoi për Shalën në postin e nënkryetarit. Por, PDK-ja tha se kishte tërhequr përkohësisht kandidaturën për nënkryetar duke paralajmëruar dërgim të lëndës në Kushtetuese, gjë që ndodhi më pas.

Gjatë seancës së 13 shtatorit u zgjodhën edhe dy nënkryetarët nga radhët e komuniteteve joshumicë.

Kushtetuesja: Kuvendi të zgjedhë nënkryetarin e dytë, Qeveria është zgjedhur në mënyrë kushtetuese

Radio Evropa e Lirë

Gjykata Kushtetuese e Kosovës tha se Kuvendi i Kosovës është konstituuar përtej afatit 30-ditor, por megjithatë shtoi se deputetët duhet të zgjedhin nënkryetarin e dytë nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.

Në njoftim, gjykata më e lartë në vend po ashtu tha se Qeveria e re e Kosovës është zgjedhur në përputhje me Kushtetutën.

Gjykata tha po ashtu se afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit ka nisur më 8 gusht dhe përfundon më 6 tetor.

Njoftimi i Kushtetueses vjen pasi Partia Demokratike e Kosovës, përmes dy kërkesave, kontestoi konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e ekzekutivit. Kushtetuesja po ashtu rrëzoi kërkesën e PDK-së për vendosjen e masës së përkohshme për punimet e Kuvendit.

Më 13 shtator, pa praninë e deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ata të komuniteteve joshumicë votuan për konstituimin e Kuvendit.

Më vonë gjatë ditës u votua edhe Qeveria e re, e udhëhequr nga Albin Kurti.

Lëvizja Vetëvendosje, fituesja e zgjedhjeve të qershorit, kishte argumentuar se afati 30-ditor kishte nisur më 6 gusht, kur nisi edhe seanca konstituive. Megjithatë, edhe ky afat u tejkalua, mes argumentimit nga LVV-ja se kërkohej një marrëveshje për çështjen e presidentit para se të lëvizej përpara me konstituimin e Kuvendit.

 

Çfarë ndodh tani pas nismës së PDK-së rreth ligjit për Specialen?

“S’ka paqe pa drejtësi” – një protestë e studentëve në Prishtinë kundër vendimit të Gjykatës Speciale ndaj katërshes së UÇK-së. 21 shtator 2026.

 

Valbona Bytyqi

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) i propozoi këtë javë Kuvendit të Kosovës ndryshime në ligjin për Dhomat e Specializuara, pak ditë pasi një trup gjykues i tyre i shpalli fajtorë për krime lufte katër ish-drejtues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) – Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin.

Partia kryesore opozitare e Kosovës tha se nuk synon zhbërjen e asaj që njihet si Gjykata Speciale, por ndryshimet që i propozoi do të preknin disa nga elementet kryesore të mandatit të saj, nga juridiksioni dhe periudha kohore që mbulon, deri te dënimet dhe mënyra e trajtimit të rasteve që do të mbeteshin jashtë juridiksionit të saj.

Çfarë ndodh tani pas nismës së PDK-së në Kuvend, dhe cilat janë pengesat për ndryshimin e ligjit?

Propozimet e PDK-së

Projektligji i PDK-së kërkon që juridiksioni i Gjykatës Speciale të kufizohet te veprat penale të përmendura në një raport të vitit 2011 të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i cili trajtonte, ndër të tjera, pretendimet për trafikim organesh pas luftës në Kosovë.

Ai parasheh ndryshimin e periudhës kohore që mbulon Specialja: nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000, në periudhën nga 1 korriku i vitit 1999 deri në dhjetorin e vitit 2000.

PDK-ja propozon, gjithashtu, që ndëshkimi maksimal që do të mund ta shqiptonte Gjykata të jetë 15 vjet burgim.

Projektligji parasheh edhe që dënimet të ekzekutohen në Kosovë, dhe që personat e dënuar të mund të jenë subjekt i faljes presidenciale.

Hapat në Kuvend

Projektligji u dorëzua në Kuvend më 22 shtator, por përpara se të arrijë në seancë plenare, duhet të kalojë nëpër disa hapa proceduralë.

Sipas Rregullores së Punës, pas dorëzimit në Kuvend, projektligji i dërgohet Qeverisë për mendim. Para shqyrtimit të parë në seancë plenare, ai duhet të shqyrtohet në parim nga komisioni përgjegjës parlamentar, i cili më pas i paraqet Kuvendit raport me rekomandim.

Por, Kuvendi i ri i Kosovës, i shpallur i konstituuar më 13 shtator, ende nuk i ka formuar komisionet parlamentare. PDK-ja, ndërkohë, e ka dërguar për trajtim në Gjykatën Kushtetuese çështjen e konstituimit të Kuvendit, duke pretenduar se procesi nuk është zhvilluar në përputhje me Kushtetutën. Gjykata ende nuk ka dalë me ndonjë njoftim.

Sa mbështetje ka nisma?

Për ndryshimin e një ligji kërkohet shumica e thjeshtë në Kuvendin me 120 deputetë, pra të paktën 61 vota.

Mbështetja politike për nismën e PDK-së ende nuk është e qartë. Partia tjetër opozitare, Aleanca, e ka përkrahur atë, kurse Lëvizja Vetëvendosje (LVV) në pushtet ka thënë se do ta shqyrtojë nga aspekti juridik. Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), partia e dytë opozitare, nuk ka dalë ende me një qëndrim zyrtar.

PDK-ja ka 22 deputetë, LVV-ja 53, Aleanca 7, kurse LDK-ja 18. Ndërkaq, deputetët e komuniteteve pakicë kanë gjithsej 20 vende në Kuvend.

Nëse ndryshimet do të kërkonin edhe ndryshime kushtetuese, pragu do të ishte dukshëm më i lartë: do të duheshin dy të tretat e të gjithë deputetëve, si dhe dy të tretat e deputetëve që mbajnë vendet e garantuara për komunitetet joshumicë.

A mund të ndryshohet Specialja vetëm me ligj?

Kjo është një nga çështjet kryesore juridike që mund të dalë gjatë shqyrtimit të nismës.

Dhomat e Specializuara u krijuan mbi bazën e një ndryshimi të Kushtetutës së Kosovës, një marrëveshjeje ndërkombëtare dhe një ligji të veçantë.

Hulumtuesi i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Gzim Shala, tha për Radion Evropa e Lirë (REL) se ndryshimet në ligj “nuk duhet të cenojnë detyrimet që Kosova ka marrë përsipër” përmes ndryshimit kushtetues dhe marrëveshjeve ndërkombëtare.

Sipas tij, “çdo ndryshim i ligjit i nënshtrohet vlerësimit të ligjshmërisë nga Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese në Hagë, e përbërë nga tre gjyqtarë ndërkombëtarë”.

Shala tha gjithashtu se, për të qenë të zbatueshme në praktikë, ndryshimet duhet të bëhen në konsultim dhe bashkëpunim me partnerët kryesorë ndërkombëtarë të Kosovës.

Nga Bashkimi Evropian thanë se nuk komentojnë për njoftime apo plane, por përsëritën mbështetjen e tyre për Gjykatën Speciale dhe thanë se kjo mbështetje do të vazhdojë.

REL-i pyeti Departamentin amerikan të Shtetit rreth projektligjit të PDK-së, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk mori përgjigje.

Profesori i së drejtës kushtetuese, Visar Morina, tha për REL-in se ndryshimet “që prekin ekzistencën ose mandatin e Dhomave të Specializuara do të duhej të trajtoheshin fillimisht në nivel kushtetues dhe më pas përmes ndryshimeve ligjore”.

Avokati Amer Alija, ekspert i gjykimeve për krime të luftës, vlerësoi për REL-in se “ndryshimi ose shfuqizimi vetëm i ligjit mund të krijojë konflikt serioz” me Kushtetutën dhe marrëveshjet ndërkombëtare të Kosovës, pasi një ligj i zakonshëm “nuk mund të ketë përparësi” ndaj tyre.

Po rastet dhe aktgjykimet ekzistuese?

Projektligji i PDK-së parasheh që procedurat që janë tashmë në zhvillim në Gjykatën Speciale të vazhdojnë sipas rregullave aktuale deri në një vendim të formës së prerë. Për rastet që do të mbeteshin jashtë juridiksionit të saj, projektligji parasheh mundësinë e transferimit të tyre në Kosovë.

Ish-avokati i Popullit i Kosovës, Hilmi Jashari, tha për REL-in se ndryshimi i ligjit nuk do të mjaftonte vetvetiu për lirimin e personave të dënuar.

Duke iu referuar aktgjykimit të 16 shtatorit ndaj Thaçit, Krasniqit, Veselit dhe Selimit, të cilët u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim, Jashari tha se për lirimin e tyre “do të duhej një vendim i organit gjyqësor kompetent, për shembull si rezultat i një vendimi në apel, ose një bazë tjetër juridike e përcaktuar qartë”.

Jashari vlerësoi, gjithashtu, se çdo ndryshim i mënyrës së funksionimit të Speciales do të duhej të shoqërohej me një mekanizëm që “do të garantonte vazhdimësinë e procedurave” dhe që do të shmangte krijimin e “një vakumi juridik”.

PDK-ja e çon në Kuvend nismën për ndryshimin e ligjit për Specialen

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka bërë të ditur të hënën se grupi parlamentar i kësaj partie ka proceduar në Kuvendin e Kosovës projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë.

Hamza, i shoqëruar nga deputetë të PDK-së, tha në një konferencë për media në objektin e Kuvendit se nisma vjen pas protestave të ditëve të fundit kundër aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Ai sqaroi se nisma nuk synon mbylljen e Gjykatës Speciale apo pengimin e hetimit të rasteve për të cilat ajo është krijuar, përfshirë pretendimet për trafikim organesh, por ndryshimin e ligjit për të përcaktuar më qartë kufijtë e mandatit dhe kompetencave të saj.

“Projektligji përcakton se, kur një rast nuk hyn në këtë juridiksion, ai transferohet në Kosovë, së bashku me dosjen, provat dhe materialin e tij. Pra, drejtësia vazhdon, por vazhdon aty ku duhet të vazhdojë”, tha ai.

Sipas tij, një akuzë do të duhej të kishte lidhje konkrete dhe të drejtpërdrejtë me pretendimet për të cilat janë krijuar Dhomat e Specializuara dhe jo të përfshihej në juridiksionin e tyre vetëm për shkak të një lidhjeje të përgjithshme me luftën ose UÇK-në.

Për rastet që aktualisht janë në proces, Hamza tha se projektligji parasheh që procedurat të vazhdojnë në Apel sipas strukturës ekzistuese të Dhomave të Specializuara. Në rast se Apeli urdhëron rigjykim, sipas tij, ai do të zhvillohej sipas juridiksionit të ri dhe, kur të plotësohen kushtet, rasti do të transferohej në Kosovë.

Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të kryera ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë, të cilat përmenden në raportin e Këshillit të Evropës në vitin 2011, autor i të cilit ishte senatori zviceran Dick Marty.

Ky institucion gjyqësor ka mandat për krimet e pretenduara ndaj njerëzimit, për krimet e luftës dhe veprat tjera penale që ndërlidhen me pretendimet nga raporti i Dick Martyt, e të cilat pretendohet që janë kryer në periudhën prej janarit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Hamza tha se projektligji parasheh edhe mundësinë që organizata ndërkombëtare profesionale dhe të pavarura të monitorojnë punën e Gjykatës Speciale, përfshirë respektimin e të drejtave të të akuzuarve, standardet e gjykimit të drejtë, kushtet e paraburgimit dhe kohëzgjatjen e proceseve. Këto organizata do të raportonin para Kuvendit dhe publikut.

Hamza tha se PDK-ja ka diskutuar për këtë nismë me drejtuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës dhe u bëri thirrje këtyre subjekteve që ta mbështesin projektligjin.

“Kjo çështje i tejkalon përmasat e një subjekti politik, të një mandati, të një qeverisjeje, por këtu kemi të bëjmë me historinë e Kosovës dhe ne po kërkojmë që të ketë drejtësi, por mos t’i shkruhet historia”, tha ai.

Me 22 deputetët e saj, PDK-së i duhen edhe 18 nënshkrime të deputetëve nga grupet e tjera parlamentare për të siguruar 40 nënshkrimet e nevojshme për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme.

Thirrja e PDK-së vjen në ditën e gjashtë të protestave në Prishtinë kundër aktgjykimit të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Në një postim të hënën, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, kërkoi që Kuvendi të mblidhet urgjentisht dhe të miratojë një rezolutë të re për angazhimin shtetëror të Kosovës gjatë procesit të apelit.

“Kuvendi i Kosovës dhe Qeveria duhet të kenë qëndrim institucional ndaj këtij aktgjykimi, i cili është i shkallës së parë dhe, rrjedhimisht, nuk është përfundimtar”, shkroi Hoti.

Ai kërkoi gjithashtu që Kuvendi t’i kërkojë Qeverisë “mobilizim të plotë diplomatik” me aleatët ndërkombëtarë, me qëllim që procesi i shqyrtimit në shkallën e dytë, sipas tij, të jetë gjithëpërfshirës dhe të respektojë standardet e drejtësisë.

Protestat janë mbajtur çdo natë që prej shpalljes së aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit më 16 shtator. Në to janë parë rregullisht edhe deputetë të PDK-së dhe përfaqësues të tjerë politikë.

Organizatorët kanë paraqitur katër kërkesa drejtuar Qeverisë dhe Presidencës së Kosovës: shfuqizimin ose ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara; shkarkimin e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla; mbështetje të pakufizuar dhe fonde të mjaftueshme për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së; si dhe angazhimin e ekspertëve ndërkombëtarë për mbrojtjen e tyre.

Gërvalla është kritikuar nga organizatorët e protestave për mungesë reagimi ndaj aktgjykimit të Dhomave të Specializuara.

Më 16 shtator, Dhomat e Specializuara i dënuan Thaçin dhe Krasniqin me nga 25 vjet burgim, Veselin me 18 vjet dhe Selimin me 13 vjet. Ata u shpallën fajtorë për disa krime lufte, ndërsa u shpallën të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit.

Të katër ish-krerët e UÇK-së kanë mohuar akuzat dhe kanë paralajmëruar se do ta apelojnë aktgjykimin.

Beteja politike në Kosovë zhvendoset në Kushtetuese, opozita konteston Kuvendin dhe Qeverinë

Beteja politike në vend është zhvendosur zyrtarisht në Gjykatën Kushtetuese. Legjitimiteti i konstituimit të Kuvendit dhe votimit të Qeverisë tashmë po kontestohet nga Partia Demokratike, e cila pretendon shkelje procedurale, ndërsa Vetëvendosje i konsideron këto procese të përfunduara. Në këtë periudhë paqartësie, njohësit e rrethanave politike kërkojnë unitet, duke pasur parasysh edhe zhvillimet e fundit me proceset e Speciales në Hagë.

Fati i institucioneve të reja të Kosovës tashmë ndodhet në duart e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Dy ankesat e dorëzuara nga Partia Demokratike, të cilat kontestojnë ligjshmërinë e konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë, e kanë zhytur vendin sërish në paqartësi politike. Përderisa Vetëvendosje i konsideron këto procese plotësisht të përfunduara dhe legjitime, opozita po kërkon rrëzimin e tyre përmes rrugës ligjore. Në këtë periudhë pritjeje dhe tensioni, njohës të fushës kërkojnë që partitë politike të reflektojnë dhe të ndalin lojërat me aktin më të lartë juridik të shtetit, duke vendosur interesin e shtetit mbi atë partiak.

“Duam të besojmë se Gjykata Kushtetuese sa më shpejt që është e mundur do ta marrë një vendim i cili në njëfarë mënyre do ta kthejë në binarë politikën kosovare, e politika kosovare në këtë rast Kuvendi i Kosovës, partitë në Kuvend ta kuptojnë se më i rëndësishëm është interesi strategjik i Republikës së Kosovës me pasë institucione funksionale se sa lojëra politike ditore me qëllim të arritjes ku tanimë është bërë sport shkelja e Kushtetutës, e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”, tha Ehat Miftaraj nga IKD.

Përtej betejës juridike në vend, zhvillimet e fundit jashtë kufijve po shihen si një alarm për unitet. Vendimi i 16 shtatorit nga Gjykata Speciale në Hagë për katër ish-krerët e UÇK-së, sipas analistëve, duhet të shërbente si një shtysë e fortë që taborët politikë t’i zbusin qëndrimet e tyre barrikaduese dhe të gjejnë një gjuhë të përbashkët përballë sfidave kombëtare.

“Është dashur që këto të mendohen para se të ndodhë 16 shtatori, është dashur që të kemi unitet, të kemi një bashkëqeverisje duke e ditë në çfarë situate po kalon Kosova, është dashur që të gjithë të lëshojnë pe nga pak, edhe fituesit edhe humbësit, të bëhet një qeveri ndoshta tranzitore ndoshta dyvjeçare dhe përmes institucioneve të bëjmë një reagim zyrtar”, tha Sadik Zeqiri, analist.

Deri në shpalljen e aktgjykimit nga Gjykata Kushtetuese, skena politike në vend mbetet e pezulluar dhe e paqartë. Përderisa partitë barrikadohen pas qëndrimeve të tyre të kundërta, sytë e opinionit publik mbeten tek institucioni më i lartë juridik, i cili pritet të përcaktojë vijat e ardhshme të lëvizjes politike në Kosovë./rtk

Veprimtari Idriz Rrecaj është ndër të identifikuarit në varrezat masive në Zubin Potok, njofton familja

Idriz Rrecaj (i zhdukur nga lufta e fundit) në mes, me vajzat e tij, Florën dhe Valbonën, anash. Fotografi e realizuar rreth vitit 1997.

 

Radio Evropa e Lirë

Veprimtar politik nga Skenderaj, Idriz Rrecaj, është ndër tre personat e identifikuar pas analizave të ADN-së disa javë pas zhvarrimit të mbetjeve mortore të zbuluara në varreza masive në lokacione të ndryshme në veri të Kosovës, njoftoi familja e tij të dielën.

Idriz Rrecaj, i dekoruar më 2019 si “Hero i Kosovës”, ishte veprimtar politik, i cili së bashku me 22 persona të tjerë shqiptarë, të njohur si “grupi i intelektualëve”, u zhduk në kohën kur lufta e forcave serbe në Kosovë ishte intensifikuar.

“Pas 27 vjetësh pritje, dhimbje dhe pasigurie, morëm lajmin nga institucionet tona që nga laboratori i ADN-së në Hagë është konfirmuar zyrtarisht identifikimi i prindit tim, Idriz Rrecaj”, shkroi në Facebook i biri i tij, Shpëtim Rreci.

“Pyetjes ‘Ku është Idriz Rrecaj?’ i erdhi fundi. Më në fund kemi përgjigjen që e kemi pritur për kaq gjatë. Gjaku nuk humb kurrë”, shtoi ai.

Njoftimi i Rrecit vjen një ditë pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bëri të ditur se ishin identifikuar tri viktimat e para të varrezave masive të zbuluara në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut gati dy muaj më parë.

Sipas Kurtit, raportet e ADN-së kishin konfirmuar se tri viktimat i përkasin grupit të njohur si “grupi i intelektualëve”, kryesisht qytetarë nga Skenderaj dhe Mitrovica, të rrëmbyer dhe të zhdukur me dhunë më 19 prill 1999 nga forcat serbe.

Kryeministri nuk kishte treguar me emër dhe mbiemër se kush ishin viktimat.

Radio Evropa e Lirë e kishte vizituar familjen e Idriz Rrecajt në Skenderaj në gusht, pasi autoritetet thanë se mbetjet mortore të zbuluara në këto varreza masive mund t’i përkisnin grupit ku bënte pjesë edhe ai.

Flora Rrecaj, bija e tij, i tha Radios Evropa e Lirë më 30 gusht se ajo dhe familjarët e tjerë e kishin kërkuar për plot 27 vjet atë nëpër lista të burgjeve në Serbi, dëshmi, informata të pakonfirmuara dhe vende ku herë pas here zbuloheshin mbetje mortore.

Në pritje të rezultateve të ADN-së për të kuptuar nëse mbetjet mortore ishin të babait të saj, ajo kishte thënë se po përjetonte ndjenja “të përziera”.

“Janë ndjenjat e dhimbjes, ndjenjat e shpresës, por janë edhe ndjenjat e frikës. Pas kaq shumë vitesh, tash e ke një frikë prej përgjigjes. Por, megjithatë, është e domosdoshme dhe shumë e nevojshme të dihet e vërteta”, kishte thënë ajo.

Ndërkohë, ende nuk dihet se kush janë dy viktimat e tjera të identifikuara.

Njoftimi i Kurtit të shtunën për identifikimin e tri viktimave vjen gati dy muaj pasi u zbuluan tri varre masive në Zubin Potok, ku u gjetën mbetje mortore të së paku 23 njerëzve.

Në fund të muajit të kaluar, autoritetet kosovare i dërguan në Hagë të Holandës mostrat e mbetjeve mortore të zhvarrosura në lokacionet e varreve masive në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut.

Kurti tha se Kosova pret t’i pranojë edhe raportet e tjera për mostrat e dërguara për identifikim përmes analizës së ADN-së “në ditët dhe javët në vijim”.

Varrezat në Zubin Potok u zbuluan rreth dy muaj më parë pas një hetimi dyvjeçar lidhur me dyshimet për krime lufte, sipas autoriteteve kosovare.

Prokuroria Speciale e Kosovës po i heton për këtë rast katër persona, J.R., M.J., R.K dhe M.B., të dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile. Që të katër ndodhen në paraburgim.

Sipas Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, 1.577 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur nga lufta e viteve 1998-1999, ndërsa janë dokumentuar gjithsej 12.230 viktima të luftës.

Kosova ka kërkuar vazhdimisht nga Serbia bashkëpunim për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe qasje në arkivat ushtarake që sipas autoriteteve mund të ndihmojnë në identifikimin e lokacioneve të varreve të mundshme.

Joseph: Jam i habitur me lartësinë e dënimeve të Hagës, është pozitive që u shpallën të pafajshëm për krime kundër njerëzimit

Profesori amerikan, Edward Joseph, në një intervistë për Kallxo.com, ka thënë se vendimi i Gjykatës Speciale është jashtëzakonisht shqetësues dhe sipas tij të krijon përshtypjen se ka hedhur në baltë gjithë atë që ka ndodhur në Kosovë gjatë viteve 90-tave, shkruan Express.

Ai ka thënë se gjyqtari do të duhej të merret parasysh praktikat e ndjekura nga Gjykata Ndërkombëtare për Ish-Jugosllavinë dhe të ishte në dijeni për atë se çfarë krimet kanë kryer serbët.

“Është për të ardhur keq, unë isha mjaftë i habitur me lartësinë e këtyre dënimeve”, ka thënë Joseph.

Megjithatë ai e gjen si mjaftë pozitive faktin që gjykata nuk i gjeti fajtor asnjërin prej të akuzuarve për aktakuzën për krime kundër njerëzimit.

“Kjo nuk është thjeshtë hollësi teknike. Krimet kundër njerëzimit janë shumë më serioze” ka shtuar tutje Joseph.

Ai ka thënë se zyrtarët në Kosovë duhet ta përsërisin një gjë të tillë.

Kurti: Është konfirmuar identiteti i tri viktimave nga varret masive në Zubin Potok, i përkasin “Grupit të Intelektualëve”

Radio Evropa e Lirë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar të shtunën se është konfirmuar identiteti i tri viktimave pas zhvarrimit të mbetjeve mortore të zbuluara në varreza masive në lokacione të ndryshme në veri të Kosovës.

Kurti shkroi në Facebook se raportet e ADN-së kanë konfirmuar se tri viktimat i përkasin grupit të njohur si “Grupi i Intelektualëve”, kryesisht qytetarë nga Skenderaj dhe Mitrovica, të rrëmbyer dhe të zhdukur me dhunë më 19 prill 1999 nga forcat serbe.

Grupi prej 23 “intelektualëve” ishte një grup shqiptarësh, mes tyre veprimtarë, profesionistë dhe figura publike nga zona e Mitrovicës, të cilët u zhdukën në zonën e Zubin Potokut më 19 prill të 1999-ës.

Kryeministri nuk tregoi me emër dhe mbiemër se kush ishin viktimat, por tha se familjet e tri viktimave të identifikuara janë njoftuar qysh sot.

Njoftimi i tij vjen gati dy muaj pasi u zbuluan tri varre masive në këtë komunë në veri të vendit, ku u gjetën mbetje mortore të së paku 23 njerëzve.

Në fund të muajit të kaluar, autoritetet kosovare i dërguan në Hagë të Holandës mostrat e mbetjeve mortore të zhvarrosura në lokacionet e varreve masive në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut.

Kurti tha se Kosova pret t’i pranojë edhe raportet e tjera për mostrat e dërguara për identifikim përmes analizës së ADN-së “në ditët dhe javët në vijim”.

“Me shpresën që edhe familjet e tjera të marrin përgjigjet që presin prej 27 vitesh. Asnjë përgjigje nuk mund ta shuajë dhimbjen e humbjes, por njohja e së vërtetës i jep fund ankthit të pritjes për të mësuar fatin e më të dashurve”, tha Kurti.

Varrezat në Zbuin Potok u zbuluan rreth dy muaj më parë pas një hetimi dyvjeçar lidhur me dyshimet për krime lufte, sipas autoriteteve kosovare.

Prokuroria Speciale e Kosovës po i heton për këtë rast katër persona, J.R., M.J., R.K dhe M.B., të dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile.

Që të katër ndodhen në paraburgim.

Njëri nga të arrestuarit, sipas autoriteteve, dyshohet se në kohën e luftës kishte qenë pjesë aktive e Armatës Jugosllave.

Sipas Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, 1.577 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur nga lufta e viteve 1998-1999, ndërsa janë dokumentuar gjithsej 12.230 viktima të luftës.

Kosova ka kërkuar vazhdimisht nga Serbia bashkëpunim për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe qasje në arkivat ushtarake që sipas autoriteteve mund të ndihmojnë në identifikimin e lokacioneve të varreve të mundshme.

Kurti, i cili ndodhet në Shtetet e Bashkuara dhe për sesionin e 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, tha se do t’iu kërkojë Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe Britanisë së Madhe, ta shtojnë trysninë ndaj Serbisë për t’i zbatuar zotimet për hapjen e arkivave, për të ndihmuar në gjetjen e vendndodhjes së njerëzve të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë.

Faton Peci: Stop sulmeve ndaj Donika Gërvallës!

Në emër të Partisë Guxo dhe si Kryetar i saj, më duhet të them dy fjalë pas protestës së sotme.
UÇK ka qenë dhe mbetet e krejt kombit shqiptar, ka qenë dhe mbetet simbol e vlerë e këtij populli dhe kështu do të mbetet përjetësisht.
Protesta është shenjë civilizimi dhe e drejtë e garantuar në demokraci. Si të tillë, ne e respektojmë. Mirëpo, çdo përpjekje për stigmatizimin, demonizimin dhe linçimin e Donika Jusuf Gërvallës me anën e manifestimeve të tilla, do të merr kundërshtimin tonë me të ashpër.
Në historinë tonë të gjatë të sakrificës për liri, familja e saj dhe vetë Donika Gërvalla paraqesin një kapitull të rëndësishëm dhe të ndritshëm (njëra nga Brigadat e UÇK-së është quajtur “Jusuf Gërvalla”) dhe është udhërrëfyes e manual se si jetohet e vdiset për atdhe.
Këtë nuk e harrojmë dhe këtë nuk GUXOjmë ta harrojmë!
Prandaj, stop sulmeve ndaj Donika Gërvallës!

Albulena Haxhiu: Më 11 shtator 2000, arkitekti dhe urbanisti Rexhep Luci u vra në hyrje të banesës së tij në Prishtinë

Njëzet e gjashtë vjet më parë, Prishtina humbi një prej njerëzve që kishte menduar gjatë dhe seriozisht për të ardhmen e saj.
Më 11 shtator 2000, arkitekti dhe urbanisti Rexhep Luci u vra në hyrje të banesës së tij në Prishtinë. Në atë kohë, ai drejtonte planifikimin hapësinor në Komunën e Prishtinës.
Rexhep Luci ishte pjesë e brezit të parë të urbanistëve të Kosovës, punoi në planifikimin e lagjeve që sot janë pjesë e identitetit të kryeqytetit dhe këmbënguli që Prishtina të zhvillohej me plan, me hapësira publike, me gjelbërim dhe duke pasur parasysh njerëzit që jetojnë në të.
Por Rexhep Luci duhet kujtuar edhe për integritetin me të cilin e ushtroi detyrën publike dhe për refuzimin për t’u tërhequr përballë interesave që kërkonin ta ndërtonin qytetin pa rregulla.
Vrasja e Rexhep Lucit mbetet e pazbardhur dhe pa autorë të vënë para drejtësisë. Edhe kjo është pjesë e përgjegjësisë që kemi ndaj kujtimit të tij.
Sot e kujtojmë Rexhep Lucin me respekt për punën, profesionalizmin dhe vizionin që pati për Prishtinën. Një Prishtinë që zhvillohet me rend e me përgjegjësi dhe që mendohet për njerëzit e saj dhe për brezat që vijnë. (fb)

Pas vendimit të Hagës, PDK dorëzon sot në Kuvend nismën për ndryshimin e Ligjit për Specialen

Kurti dhe Hamza diskutuan për rrugët dhe mënyrat që mund të ndiqen pas aktgjykimit, ku në takim u theksua edhe mundësia që vendimi të ndryshojë në shkallën e apelit.

KOSOVA- Partia Demokratike e Kosovës do të dorëzojë ditën e sotme në Kuvend propozimin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Kjo nisëm, vjen menjëherë pas vendimit të Gjykatës Speciale të Hagës e cila dënoi me 81 vite burg në total katër ish-krerët e UÇK-së.  Gjithashtu vjen edhe në kohën kur janë shtuar diskutimet politike rreth funksionimit dhe mandatit të Dhomave të Specializuara.

Pas vendimit të Hagës, PDK-ja ka zhvilluar diskutime për hapat që do të ndërmerren lidhur me Dhomat e Specializuara, ndërsa një ditë pas vendimit, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, u takua edhe me kryeministrin Albin Kurti.

Kurti dhe Hamza diskutuan për rrugët dhe mënyrat që mund të ndiqen pas aktgjykimit, ku në takim u theksua edhe mundësia që vendimi të ndryshojë në shkallën e apelit. Dhomat e Specializuara janë themeluar pas ndryshimeve kushtetuese dhe miratimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar nga Kuvendi i Kosovës.

Dhomat e Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, shpallën Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin fajtorë për krime lufte dhe i dënuan me nga 13 deri në 25 vjet burg. Gjykatësit argumentuan se katër të akuzuarit kontribuuan ndjeshëm në një qëllim të përbashkët kriminal për shënjestrimin e personave të perceptuar si kundërshtarë të synimeve politike ose ushtarake të UÇK-së./Dosja.al

Sot përcjellja e Flora Brovinës, aktivistes së shquar, mjekes humaniste, poeteshës, të burgosurës politike, deputetes së Parlamentit të Kosovës dhe veprimtares së pandalur

Sot përcjellja e Flora Brovinës, aktivistes së shquar, mjekes humaniste, poeteshës, të burgosurës politike, deputetes së Parlamentit të Kosovës dhe veprimtares së pandalur.

Botuesit e Voal.ch i shprehin ngushëllimet Familjes dhe gjithë Kosovës mbarë, duke e kujtuar Flora Brovinën me vargjet e saj. Tash Flora asht bashku me shokun e jetës Ajri Begun dhe të gjithë ata që kujton përmallshëm në këtë poezi:

ORA E PARË
Jusufi
Jusuf Kanjushë e verdhë
Jusuf Gërvalla… mungon
Teuta Iliri Agroni Ylli
Fadi Fadil Talla… mungon
Ylfetja Ylfete Humolli… mungon
Shukrija Shukrije Obërtinca… mungon
Kimetja Arsimi Kujtimi
Halimi… Halimi… mungon
Shpresa Besa Kastrioti
Fatmiri Fatmir Kërleshi… mungon
Afrimi Afrim Zhita… mungon
Vazhdojmë
Valbona Shkurta Gjoni
Xhevati… Xhevati… mungon
Mungon Nesimi Bekimi
Afrimi… Afrim Prebreza… mungon
Mos më sillni
Certifikata mjekësore
Prindore policore shtetërore
Thoni vetëm mungon
Me lule do t’ua mjekojmë plagët
Do t’i presim
Do t’i presim
Thoni vetëm mungon
Do të çelin lule gjaku
ora vazhdon…

 

Ka reaguar familja e Haki Imerit: Klithmat per dhune nuk u ndihmojne te pandehureve e sidomos nuk i ndihmojne Thaçit!

Ka reaguar në rrjetin social familja e Haki Imerit në rrjetin social si më poshtë:

“Miq,

– Gjykata Speciale foli ,

-Gjykata Speciale e dha verdiktin ..

-Parlamenti i Kosoves e ka themeluar , dhe kur e keni themeluar eshte dasht ta kuptoni se kjo dite nje dite do te vie ..

-Pra ata qe dhane verdiktin nuk jane rus as serbe por jane SHBA-ja dhe BE-ja.

-Klithmat per dhune nuk u ndihmojne te pandehureve e sidomos nuk i ndihmojne Thaçit .

-Mos u besoni ‘miqve’ te Grenellit se ata nuk mund t’i ndihmojne askujt ne kete proces ..

-Mos e degjoni Richard Grenellin se ai nuk u kryen pune shqiptareve , ai i kryen pune veq Vuçiqit..

-Dhe ata qe jane miq te tij ata po ashtu kane kontribuar ne ndertimin e nje atmosfere te rreme se Thaçi nuk do te denohet se ate do ta shpetoj  Grenelli ..

-Grenelli duhet te shpallet non grata ne Kosove ai eshte kunder shtetit te Kosoves , ate ne SHBA -nuk e respekton as do njeri me peshe..

-Prisni apelin me durim, dhe mos paragjykoni , se nese beni ‘gallate’ sepse Apeli jo veq e zbret denimin por mund ta rrisnin denimin po ashtu, nese…”

 

Kush është Haki Imeri

Haki Imeri ka qenë një intelektual, mësues nga fshati Vojnik i Skënderajt dhe aktivist i shquar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
Ai u bë i njohur për opinionin publik për shkak të vrasjes së tij me motive të dyshuara politike menjëherë pas përfundimit të luftës në Kosovë.
  • Rrëmbimi dhe Vrasja: Më 2 nëntor 1999, Haki Imeri u mor nga tre persona të dyshuar si pjesëtarë të policisë ushtarake të UÇK-së (pa emblema) në Vojnik dhe u gjet i vrarë po atë ditë në fshatin Aqarevë.
  • Prapavija Politike: Familja e tij ka akuzuar vazhdimisht Shërbimin Informativ të Kosovës (SHIK) dhe krerët e asaj kohe të Qeverisë së Përkohshme për urdhërimin e kësaj vrasjeje.
  • Gykata Speciale në Hagë: Rasti i tij ka qenë pjesë e diskutimeve dhe hetimeve në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ku vëllai i tij, Imer Imeri, ka dëshmuar si dëshmitar i mbrojtur/prokurorisë në proceset gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Veton Surroi në ditën e përcjelljes së saj kujton Flora Brovinën me bashkëshortin Ajri Begun si aktivistë të pandalur ndaj padrejtësisë

Veton Surroi kujton Flora Brovinën në rrjetin social me dy fotografi të kohës së aktivizmit të Elitës, e cila do të përcillet në banesën ku do të prehet duke bërë kalimin e fundit në Prishtinë:

“Sot bën kalimin e fundit nëpër qytet Flora Brovina.
Në Varrimin e Dhunës më 1991 u vu ë ballë të procesionit së bashku me Ajriun, bashkëshortin. Edhe atë ditë shprehte sensin e saj të ndjeshmërisë poetike, rezistencën ndaj padrejtësisë, antifashizmin…
Në kujtesën kolektive të këtij vendi do të hyjnë këto, buzëqeshja, përkushtimi për më të brishtët e shoqërisë, trimëria e qetë e të ballafaquarit me të keqen”

Pjesë e objektit të EULEX-it përfshihet nga zjarri në protestën kundër vendimit të Hagës

Një protestues në rrugë pranë objektit të EULEX-it në Prishtinë, gjuan në drejtim të objektit gjatë protestës kundër dënimin me burgim të ish-krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë, 16 shtator.

 

Radio Evropa e Lirë

Një pjesë të objektit të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit, EULEX, në Prishtinë e përfshiu zjarri të mërkurën vonë, pasi demonstruesit e sulmuan me mjete piroteknike, teksa protestonin kundër dënimit me burgim për krime të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nga Gjykata Speciale e vendit në Hagë, njoftoi policia.

Qindra njerëz ishin mbledhur në kryeqytet qysh të mërkurën në mëngjes për ta përcjellë në ekran shqiptimin e aktgjykimit kundër Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit.

Trupi gjykues i shpalli fajtorë ata për krime lufte dhe i dënoi Thaçin dhe Krasniqin me nga 25 vjet burgim secilin, ndërsa Veselin me 18 dhe Selimin me 13.

Qytetarë të pakënaqur me aktgjykimin protestuan dy herë pranë objektit të EULEX-it.

Policia tha se rreth orës 22:30, një numër i caktuar i protestuesve, të cilët kishin qenë duke protestuar pranë objektit të Qeverisë së Kosovës, kishin lëvizur sërish në drejtim të bazës së EULEX-it në rrugën Prishtinë-Fushë Kosovë.

Ata e bllokuan rrugën pranë hyrjes në kompleksin e EULEX-it dhe filluan të hidhnin gjësendeve të ndryshme, “mjeteve të forta dhe mjeteve piroteknike, ku si pasojë e këtyre të fundit, një pjesë e objektit është kapluar nga një zjarr i vogël”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia tha se zjarri u shua menjëherë. Nuk pati të lënduar.

EULEX-i ka rol mbështetës ndaj Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, të cilave u ofron mbështetje logjistike dhe operacionale, ndërsa BE-ja është financuesja kryesore e tyre.

Protesta përfundoi pak pas mesnatës dhe kaloi ka ndonjë incident të madh dhe pa lëndime, theksoi policia.

“Zyrtarët policor në vazhdimësi kanë biseduar me protestuesit dhe kanë kërkuar që të protestojnë në mënyrë të qetë, të mos hedhin gjësende dhe mjete të rrezikshme drejt objekteve shtetërore”, thuhet në njoftim.

Policia tha se do t’i vazhdojë praninë dhe patrullimet në terren për të garantuar rend kushtetues dhe siguri publike në gjithë vendin.

Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera kanë bërë thirrje që të respektohet vendimi i gjykatës.

Dënimi me burgim i ish-krerëve të UÇK-së, të cilët pritet të ankohen në Apel, u kritikua ashpër në Kosovë, ku ata shihen si heronj kombëtarë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e cilësoi aktgjykimin si padrejtësi të papranueshme.

“Edhe pse aktgjykimi mund të jetë shpallur formalisht në emër të popullit të Kosovës, kjo formulë boshe nuk duhet të ngatërrohet me vullnetin e popullit”, tha Kurti në një deklaratë.

Gjykata Speciale është formalisht pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës por përbëhet nga gjyqtarë dhe prokurorë ndërkombëtarë.

Kjo gjykatë është jopopullore në vend dhe kundër saj ka pasur protesta të vazhdueshme qëkurse katër ish-krerët e UÇK-së u arrestuan më 2020.

“Do të vijë dita të na kuptoni” Kur Albin Kurti paralajmëronte Kuvendin e Kosovës: VV nuk e njeh Gjykatën Speciale, ne nuk do të dorëzojmë luftëtarët e UÇK

Gjykata Speciale në Hagë ka dhënë ditën e djeshme vendimin për dënimin me 81 vite burg të katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në video është rikthyer në vëmendje një fjalim i kryeministrit Albin Kurti, në kohën kur Lëvizja Vetëvendosja ishte në opozitë. Kurti paralajmëronte se VV nuk e njeh Gjykatën Speciale ndaj edhe nuk do të dërgonte në Gjykatë luftëtarët e UÇK.

“Kur Vetëvendosja të jetë në qeverisje nesër, është subjekti në qeveri që nuk ju dorëzon në Gjykatën Speciale, sepse ne nuk e njohim atë gjykatë. Edhe PDK ju dorëzon, ne jo. Veçse për krime zhvatje e plaçkitje pas luftës, ne nuk ju mbrojmë e as ju ndihmojmë, por sa për gjykatën speciale, nuk e njohim. Edhe ju keni interes që ne të vijmë në pushtet për këtë gjë. E keni vështirë ta kuptoni dhe ta pranoni por do të vijë dita”, shprehej ai. bw

 


Send this to a friend