VOAL

VOAL

Predikuesi fetar nga Bosnja, Elvedin Peziq, shoqërohet nga Policia e Kosovës

Radio Evropa e Lirë
Predikuesi i fesë islame nga Bosnjë e Hercegovina, Elvedin Peziq, është shoqëruar të enjten nga Policia e Kosovës për intervistim informues, para një aktiviteti që ishte planifikuar të mbahej në Vitomiricë të Pejës.

Lajmin për Radion Evropa e Lirë e konfirmoi Rexho Kojiq, nga organizata joqeveritare “Vullnetarët e Rinj” nga Kosova, organizatore e aktivitetit ku Peziq pritej të merrte pjesë të enjten.

“Tani e kanë transferuar në stacionin policor në Prishtinë. Nuk e dimë se çfarë do të ndodhë më tej, pasi urdhri ka ardhur nga Prishtina. Ai ka hyrë rregullisht në Kosovë, përmes pikëkalimit kufitar në Kullë [pikëkalim kufitar me Malin e Zi], sot rreth mesditës, me dokumente të Bosnjë e Hercegovinës”, tha Kojiq për REL-in.

Sipas tij, ishte shoqëruar edhe Mithad Qeman, po ashtu predikues islamik, por ai ishte liruar menjëherë.

Kojiq tha se nga Policia i ishte thënë se nuk kishte nevojë për angazhimin e një avokati dhe se Peziq do të mbahej për gjashtë orë për verifikimin e identitetit.

Ai tha se qëllimi i vizitës së Peziqit në Kosovë ishte promovimi i një libri dhe se Policia e kishte pyetur nëse kishte leje nga Bashkësia Islame e Kosovës për mbajtjen e aktivitetit.

“Ai nuk është hoxhë në ndonjë xhami dhe nuk kishte nevojë për një leje të tillë. Bëhej fjalë për promovimin e një libri”, tha Kojiq.

Peziq kishte njoftuar se do të ligjëronte në Dobrushë, në Istog, dhe në këtë ngjarje do të merrte pjesë edhe Mithad Qeman, i cili do të promovonte një libër.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Policisë së Kosovës për konfirmimin e rastit dhe për më shumë informacione, por ende nuk ka marrë përgjigje.

Kush është Elvedin Peziq?

Elvedin Peziq prej vitesh është aktiv në hapësirën online si “predikues fetar islam”, i njohur shpesh për qëndrime kontroverse, të cilat i shpreh edhe gjatë ligjëratave në Bosnje e Hercegovinë dhe në vendet e rajonit.

Ai konsiderohet një nga predikuesit konservatorë që e identifikojnë veten si selefi.

Fjala “selef” në gjuhën arabe e ka kuptimin “të parët” dhe u referohet tri gjeneratave të para të myslimanëve apo pasuesve të profetit Muhamed dhe ndjekësit e rrugës së këtyre tri gjeneratave e quajnë veten “selefi”.

Peziq konsiderohet gjithashtu një nga të ashtuquajturit “da’i” (person që fton të tjerët t’i bashkohen islamit) më të njohur në Bosnje e Hercegovinë.

Vetëm në Facebook, Peziq ka më shumë se 300 mijë ndjekës, ndërsa është aktiv edhe në platforma të tjera, ku thotë se jep udhëzime dhe këshilla fetare, u përgjigjet pyetjeve të ndjekësve dhe komenton apo reagon ndaj ngjarjeve dhe dukurive të ndryshme shoqërore.

Bashkësia Islame e Bosnje e Hercegovinës kishte reaguar më herët ndaj një postimi të Peziqit, në të cilin ai kishte thënë se “shoqëria perëndimore është rrënuar moralisht” kur gruaja “është nxjerrë nga shtëpia” dhe është bërë “gjithçka, përveçse nënë”. Bashkësia Islame e Bosnjës kishte vlerësuar se këto qëndrime nuk janë në përputhje me mësimet e Islamit për të drejtat dhe detyrimet e grave myslimane.

Qëndrimet e Peziqit janë kritikuar shpesh nga opinioni publik në Bosnje e Hercegovinë.

Kojiq tha për REL-in se ka “interpretime të ndryshme” lidhur me rastin, por shtoi se, si organizator, është i njohur me veprimtarinë e Peziqit dhe se, sipas tij, ai nuk paraqet “rrezik për sigurinë e Kosovës”.

“Po të kishte pasur çfarëdo indikacioni për diçka të tillë, ne nuk do ta kishim mbështetur një tubim të tillë”, tha Kojiq.

Peziq dhe Qeman ishte planifikuar që të enjten të promovonin librin në Vitomiricë, në komunën e Pejës, e më pas edhe në Dobrushë, në komunën e Istogut. Një ditë më vonë, ata pritej të zhvillonin një aktivitet të ngjashëm edhe në Reçan, në rajonin e Prizrenit.

Abdixhiku: Heqim dorë nga çdo kërkesë, presidenti të jetë jopartiak

Radio Evropa e Lirë

Udhëheqësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se partia e tij heq dorë nga çdo kërkesë për postin e kryeparlamentarit, presidentit dhe pjesëmarrjes në Qeveri, duke theksuar se Lëvizja Vetëvendosje mund t’i mbajë të gjitha. Megjithatë, për vëzhguesin politik, Artan Muhaxhiri, oferta e bërë nga kreu i LDK-së nuk ofron një zgjidhje realiste dhe normale për daljen nga kriza politike.

“Meqë LVV-ja nuk po e konsideron se ka nevojë për LDK-në si partnere, atëherë nuk do ta ketë dekor as për pushtetin e saj. Ne do të qëndrojmë në opozitë dhe do ta ushtrojmë këtë përgjegjësi me dinjitet”, tha Abdixhiku në një konferencë për media.

Megjithatë, Abdixhiku tha se LDK-ja do të kontribuojë për çështjen e presidentit, duke thënë se kanë kushte për kreun e ri të shtetit.

Sipas tij, presidenti i ri duhet ta mbrojë Republikën dhe kushtetueshmërinë.

“Nga ky moment, LVV mund ta zgjedhë stabilitetin përmes një presidenti që e zgjedhim bashkëshkrish ose mund ta çojmë vendin drejt një krize të re”, tha ai, duke e akuzuar LVV-në e Albin Kurtit se nuk po pranon “kompromis minimal”.

Ai tha se LDK-ja do të jetë pjesë e zgjedhjes së presidentit sepse nëse s’marrin pjesë në votim, vendi shkon në zgjedhje për shkak se me 61 votat e LVV-së “s’mund të zgjidhet” presidenti.

“Ta zgjedhim një president që i shërben Republikës, jopartiak, e jo një president karate”, tha ai, duke shtuar se propozimet partiake do të refuzohen.

“Propozimet e njëanshme janë të refuzueshme”, tha ai, duke shtuar se emri i presidentit të ri duhet të dalë pas diskutimeve të detajuara mes partive.

LDK ishte partia e vetme që pranoi të negocionte me LVV-në, fituesen e zgjedhjeve të qershorit.

Por, edhe pas disa takimesh, Kurti e Abdixhiku s’arritën një marrëveshje.

Abdixhiku tha se Kurti i ofroi atij postin e zëvendëskryeministrit dhe tri ministri, por oferta nuk është pranuar, duke shtuar se LDK-ja kishte kërkuar postin e presidentit dhe pjesëmarrje në ekzekutiv.

“Meqë LVV-ja nuk po e konsideron se ka nevojë për LDK-në si partnere, atëherë nuk do ta ketë dekor as për pushtetin e saj”, tha Abdixhiku.

Ai kërkoi që Kuvendi të konstituohet pa vonesë dhe LVV-ja të formojë Qeverinë e re të vendit.

Kosova ndodhet në një ngërç të ri institucional pas zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit.

Kuvendi ende nuk është konstituuar, ndonëse afati 30-ditor për përfundimin e këtij procesi ka skaduar më 7 gusht.

Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar që para vazhdimit të seancës të arrihet një marrëveshje politike, veçanërisht për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca insistojnë që Kuvendi të konstituohet pa e kushtëzuar këtë proces me çështjen e presidentit.

Kurti ka insistuar që kreu i ri i vendit të jetë një figurë jopartiake dhe konsensuale.

Zgjedhjet e qershorit u shkaktuan pikërisht për çështjen e presidentit, pasi palët nuk arritën konsensus, pasi Vjosa Osmanit i përfundoi mandati pesëvjeçar në krye të shtetit në prill.

LVV-ja e Kurtit ka fituar mandate të mjaftueshme për të konstituuar Kuvendin dhe për të votuar Qeverinë e re – duke llogaritur edhe në votat e partive të minoriteteve joshumicë.

Megjithatë, për zgjedhjen e presidentit nevojitet prania e 80 deputetëve në Kuvendin me 120 vende që votimi për presidentin e Kosovës të jetë i vlefshëm.

Muhaxhiri: Oferta e Abdixhikut nuk kontribuon në gjetjen e një zgjidhjeje

Vëzhguesi politik, Artan Muhaxhiri, e vlerëson si “të çuditshëm” dhe “të vonuar” ofertën e Abdixhikut për çështjen e presidentit, duke vlerësuar se nuk po shkohet drejt një zgjidhjeje.

“Puna më e mirë që zoti Adbixhiku do të bënte është që të takohet me liderë të tjerë opozitarë dhe kësisoj ta krijonin një front të përbashkët, pakrahasueshëm më të fuqishëm sesa partitë opozitare veç e veç”, thotë Muhaxhiri, duke vlerësuar se Abdixhiku është larguar si nga partitë e tjera opozitare, ashtu edhe nga Kurti, dhe kjo situatë, “i shkon në favor” LVV-së.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Muhaxhiri thotë se oferta për një president jopartiak veçse ka qenë, prandaj ai pyet pse është dashur që të mbahen takime mes LDK-së dhe LVV-së.

“Pra, nuk ka qenë nevoja që të humbet kaq shumë kohë dhe të mbahen të gjitha ato takime nëse prapëseprapë do të kthehemi në pikën fillestare”, thotë Muhaxhiri.

“Kompromisi maksimal që mund ta bëjë zoti Kurti është që ta japë kryetarin e Parlamentit, dhe këtë po e thonë edhe gjatë këtyre ditëve, dhe kjo ofertë e zotit Abdixhiku me siguri do të jetë krejtësisht e papranueshme për zotin Kurti. Por, edhe në ndonjë skenar tjetër do të jetë shumë vështirë që të gjendet një kandidaturë e cila do t’i plotësonte këto kërkesa. Po them, kjo është një ofertë e vonuar e zotit Abdixhiku sepse nuk kontribuon në gjetjen e një zgjidhje realiste dhe normale”, shton ai.

Ai madje e vlerëson si “gabim të madh” qëndrimin se LDK do të kontribuojë për zgjedhjen e presidentit, me kushte, duke u shprehur se Abdixhiku “nuk është në pozitë që të diktojë kushte, pasi ka probleme të mëdha brenda LDK-së dhe nuk mund t’i garantojë të 18 votat e deputetëve” nëse arrihet pajtim me LVV-në për kreun e shtetit.

Sipas tij, LDK-ja, Partia Demokratike dhe Aleanca secila kanë nga një ide të ndryshme për daljen nga kriza. Më e logjikshme do të ishte nëse këto tri parti krijojnë një ide të përafërt bashkëpunimi dhe në mënyrë që t’i kundërvihen me opsione apo alternativa Kurtit, vlerëson Muhaxhiri.

Nëse këto parti arrijnë të gjejnë një kandidaturë të denjë për presidenti, thotë ai, atëherë një gjë e tillë do të shndërrohej në presion politik dhe publik ndaj Kurtit.

“Sepse pastaj edhe diskursi do të ndryshojë edhe gjithë rrëfimi për çështjen e presidentit, pra gjithë beteja për çështjen e presidentit do të merrte një kahe tjetër, më të qartë”, thotë Muhaxhiri, duke shtuar se kjo potencialisht do të detyronte Kurtin që të ndryshonte pozicion.

Edhe nëse nuk arrijnë ndonjë bashkim për çështjen e presidentit, Muhaxhiri beson se partitë opozitare duhet të takohen dhe të krijojnë një mirëbesim sepse ndryshe, sipas tij, “vështirë se do të mund ta sfidojnë” Kurtin.

Përveç LDK-së, edhe PDK-ja dhe Aleanca kanë shprehur qëndrimin se duan të qëndrojnë në opozitë.

I arrestuari për spiunazh ishte emëruar anëtar në Këshillin Konsultativ për Komunitete nga ish-presidentja Osmani

Arrestohet një person në Merdar nën dyshimin për spiunazh

Fotografia e publikuar nga Sistemi Prokurorial i Kosovës, ku shihet një zyrtar policor duke kontrolluar veturën e të dyshuarit.

 

Radio Evropa e Lirë

Policia e Kosovës ka arrestuar një shtetas të Kosovës, Fehim Sali, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale të spiunazhit.

Sipas njoftimit të Sistemi Prokurorial të Kosovës, arrestimi është kryer në pikën kufitare në Merdar të Podujevës, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Burimet e Radios Evropa e Lirë kanë konfirmuar identitetin e të dyshuarit, i cili vjen nga Komuna e Dragashit dhe është i angazhuar në sistemin arsimor serb brenda Kosovës.

Sali ishte edhe pjesë e Këshillit Konsultativ për Komunitete (KKK) brenda Presidencës së Kosovës, i emëruar më 2022.

Ky Këshill ka mandat dy vjeçar, ndërsa Sali nuk ka figuruar pjesë e Këshillit aktual.

Këshilli Konsultativ për Komunitete është një mekanizëm që vepron nën autoritetin e Presidentit të Kosovës dhe në të përfaqësohen të gjitha komunitetet në vend.

Këshilli ka 27 anëtarë dhe përbëhet nga përfaqësues të komuniteteve rom, egjiptian, goran, ashkali, malazez, kroat, boshnjak, turk dhe serb, si dhe nga përfaqësues të Zyrës së Presidentit dhe të Qeverisë.

Anëtarët e Këshillit emërohen nga Presidenti i Kosovës me vendim. Para emërimit zhvillohet procesi i nominimit të kandidatëve nga organizatat përfaqësuese të komuniteteve ose nga kandidatët individualë. Presidenti, gjatë emërimit, bazohet në raportin e Sekretariatit të Këshillit dhe merr parasysh renditjen e kandidatëve sipas votave të fituara, si dhe përfaqësimin e barabartë gjinor.

Këshilli Konsultativ për Komunitete shërben si urë komunikimi ndërmjet komuniteteve dhe Qeverisë, duke u mundësuar përfaqësuesve të tyre të japin mendime për nisma ligjore dhe politika që i prekin, të propozojnë iniciativa dhe të kërkojnë që pikëpamjet e tyre të merren parasysh në politikat dhe programet përkatëse.

Policia dhe Prokuroria Speciale nuk kanë dhënë detaje se për çfarë aktivitetesh saktësisht dyshohet ai dhe as nëse rasti lidhet me ndonjë shërbim të huaj të inteligjencës.

Prokuroria Speciale tha se, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, do të vazhdojë me veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.

Në një njoftim të mëvonshëm, Prokuroria Speciale bëri të ditur se i dyshuari është ndaluar për 48 orë.

Gjithashtu, hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda kanë zbatuar urdhërkontrollin në vendbanimin e të dyshuarit në Dragash.

Gjatë bastisjes sipas njoftimit janë gjetur dhe sekuestruar 39.500 euro para të gatshme, 500 dinarë serbë dhe katër telefona celularë.

Në Kosovë, spiunazhi përfshin aktivitetet sekrete të mbledhjes, transmetimit ose shpërndarjes së informacionit të ndjeshëm te një shtet, organizatë ose grup tjetër.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, spiunazhi konsiderohet vepër e rëndë penale dhe, në rast të shpalljes fajtor, mund të dënohet me të paktën pesë vjet burgim.

Ky arrestim vjen në një periudhë kur autoritetet kosovare kanë ndërmarrë disa raste hetimore dhe arrestime nën dyshimet për spiunazh në favor të inteligjencës serbe.

Në raste të mëparshme janë arrestuar persona nga komunitete të ndryshme në Kosovë, nën dyshimet se kanë mbledhur apo përcjellë informacione për shërbimet serbe të inteligjencës.

Ekspertë të sigurisë kanë vlerësuar se spiunazhi paraqet kërcënim serioz për sigurinë e Kosovës. Sipas tyre, veprimtari të tilla mund të ndikojnë në sigurinë e brendshme, të destabilizojnë institucionet dhe të dëmtojnë pozitën ndërkombëtare të Kosovës.

Autoritetet nuk kanë bërë të ditur nëse rasti i F.S. është i ndërlidhur me ndonjë prej rasteve të mëparshme të spiunazhit.

PDK-ja dorëzon kërkesë për vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës qëndrojnë para dyerve të ndërtesës së Qeverisë në Prishtinë, më 13 gusht, mes kërkesave ndaj Lëvizjes Vetëvendosje për thirrje të seancës për konstituim të Kuvendit.

 

Radio Evropa e Lirë

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka vazhduar të enjten me aksionet e saj në shenjë kundërshtimi ndaj moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës, mes të cilave ka dorëzuar edhe zyrtarisht një kërkesë për thirrjen e seancës konstituive nesër në orën 11:00.

Aksionet e së enjtes filluan me qëndrimin e disa deputetëve të saj para ndërtesës së Qeverisë, ku akuzuan kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, se po “uzurpon” institucionin dhe kërkuan që ai të kthehet në Kuvend.

Më vonë, deputetët e PDK-së u zhvendosën në objektin e Kuvendit, prej ku deputeti i kësaj partie, Përparim Gruda, njoftoi për dorëzimin e kërkesës edhe zyrtarisht.

Aksionet e PDK-së janë pjesë e presionit që kjo parti, bashkë me Aleancën, po ushtron për vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit dhe përfundimin e procesit të themelimit të legjislaturës së re.

Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi tha për Radion Evropa e Lirë të mërkurën se kërkesa për vazhdimin e seancës është “e drejtë”.

“Fakti që afati kushtetues prej 30 ditësh tashmë është shkelur nuk do të thotë se procesi duhet të ndalet. Përkundrazi, pas shkeljes së afatit, obligimi për konstituimin e Kuvendit vazhdon dhe deputetët duhet ta përfundojnë këtë proces pa vonesa të tjera”, tha Jakaj.

Sipas tij, Kushtetuta nuk parasheh shpërndarjen automatike të Kuvendit pas kalimit të afatit 30-ditor.

“Seanca duhet të vazhdojë pikërisht aty ku është ndërprerë dhe Kuvendi duhet të procedojë me zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve. Negociatat për zgjedhjen e presidentit janë proces tjetër kushtetues dhe nuk mund të vendosen si parakusht për konstituimin e Kuvendit”, tha Jakaj.

Ndërkohë, edhe përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) kanë insistuar në respektimin e afateve dhe procedurave kushtetuese, por nuk kanë marrë në pjesë në aksionet e këtyre dy ditëve. LDK-ja është partia e vetme që ka zhvilluar disa takime me LVV-në për një marrëveshje të mundshme.

Grupi parlamentar i kësaj partie ka thirrur takim sot.

Kosova mbetet pa Kuvend të konstituuar pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit.

Rezultatet e këtyre zgjedhjeve u certifikuan më 8 korrik, ndërsa afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit përfundoi më 7 gusht. Lidhur me këtë afat, 14 organizata joqeveritare iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese të mërkurën.

Seanca konstituive ishte caktuar të niste më 6 gusht. Megjithatë, procesi u ndërpre pasi Kurti, në cilësinë e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, kërkoi kohë shtesë për diskutime me partitë politike lidhur me zgjedhjen e presidentit të ardhshëm.

Kurti argumentoi se konstituimi i Kuvendit pa një marrëveshje paraprake për presidentin do ta çonte vendin drejt zgjedhjeve të tjera të parakohshme.

Një ditë më parë, ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, tha se kjo parti beson që afati për konstituim përfundon 30 ditë nga nisja e seancës.

PDK-ja dhe AAK-ja, në anën tjetër, kanë insistuar që Kuvendi të konstituohet dhe seanca të vazhdojë, duke e kundërshtuar kushtëzimin e këtij procesi me arritjen e një marrëveshjeje politike për presidentin.

Edhe pse afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit përfundoi më 7 gusht, seanca konstituive vazhdon të mbetet e hapur.

Më 8 gusht, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, hodhi vezë drejt Kurtit gjatë seancës, pas së cilës kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e ndërpreu atë.

Në ditët në vijim, përplasjet politike u zhvendosën sërish në Kuvend, me përplasje mes deputetëve të PDK-së dhe Aleancës, në njërën anë, dhe LVV-së, në anën tjetër, që eskaluan deri në shtyrje fizike të mërkurën.

Në qendër të përplasjes është kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, deputet i LVV-së, i cili po e drejton seancën në cilësinë e deputetit më të vjetër.

PDK-ja dhe AAK-ja kërkojnë që Dehari ta thërrasë dhe ta vazhdojë seancën, ndërsa Vetëvendosje ka kërkuar paraprakisht një marrëveshje politike mes partive.

PDK-ja pretendon se nuk ka arsye që konstituimi i Kuvendit të kushtëzohet me marrëveshjen për presidentin dhe se zgjidhja e krizës duhet të kërkohet brenda institucioneve.

Ndërkohë, kriza aktuale është vazhdim i një periudhe më të gjatë të paqëndrueshmërisë institucionale në Kosovë. Pas zgjedhjeve të mëparshme dhe krizës rreth zgjedhjes së presidentit, Kuvendi u shpërnda dhe vendi shkoi në zgjedhje të reja më 7 qershor.

Tash, edhe pas zgjedhjeve të reja, Kuvendi ende nuk është konstituuar, ndërsa partitë politike nuk kanë arritur marrëveshje për mënyrën e daljes nga ngërçi.

PDK-ja, ndërkohë, ka paralajmëruar vazhdimin e aksioneve për ta shtyrë përpara procesin e konstituimit.

Shtyrje fizike mes deputetëve në Kuvend gjatë kërkesave për vazhdimin e seancës konstituive

Deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleancës në sallën e Kuvendit të Kosovës, më 12 gusht 2026.

 

Radio Evropa e Lirë

Përplasjet mes deputetëve në Kuvendin e Kosovës për vazhdimin e seancës konstituive u përshkallëzuan të mërkurën edhe në shtyrje fizike, ndërsa partitë vazhdojnë të kenë qëndrime të kundërta për mënyrën se si duhet të zhbllokohet procesi i konstituimit të legjislaturës së re.

Deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleancës kërkuan që kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, ta thërrasë vazhdimin e saj, pavarësisht se ka kaluar afati kushtetues prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV), ndërkaq, ka insistuar se para vazhdimit të seancës duhet të arrihet një marrëveshje politike më e gjerë mes partive.

Gjatë përplasjeve në sallën e Kuvendit, deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, e shtyu me duar deputetin e LVV-së, Adnan Rrustemi, ndërsa Ardian Gola i LVV-së ndërhyri mes tyre.

Në një incident tjetër, deputetja e Aleancës, Albana Bytyqi, u pa duke e shtyrë deputeten e LVV-së, Arbërie Nagavci. Bytyqi dhe deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, hodhën edhe letra në drejtim të saj.

Përplasjet zgjatën rreth dy orë dhe ishin kryesisht verbale.

Gjatë tyre, Donika Gërvalla, e cila ndodhej në sallë për aktivitetin “Bashkatdhetarët në Kuvend”, u bëri thirrje deputetëve të PDK-së dhe Aleancës që t’u bashkohen takimeve të thirrura nga LVV-ja për arritjen e një marrëveshjeje politike.

“Ejani në takim”, u tha Gërvalla deputetëve, të cilët brohorisnin: “Thirreni seancën!”.

Në debat u përfshinë edhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, si dhe deputetët Vlora Çitaku, Eman Rrahmani dhe Blerta Deliu-Kodra.

Deliu-Kodra tha se deputetët do të vazhdojnë të vijnë çdo ditë në Kuvend “për ta kthyer rendin kushtetues”.

Ngërçi lidhet me faktin se Kuvendi ende nuk e ka përfunduar konstituimin pas zgjedhjeve të 7 qershorit. Rezultatet përfundimtare u certifikuan më 8 korrik, ndërsa afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit përfundoi më 7 gusht.

Seanca konstituive nisi më 6 gusht, por deputetët nuk arritën ta përfundonin zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve.

PDK-ja dhe Aleanca thonë se kalimi i afatit nuk e heq detyrimin për vazhdimin dhe përfundimin e seancës konstituive. LVV-ja, në anën tjetër, kërkon që paraprakisht të arrihet marrëveshje për çështjet kryesore politike, përfshirë edhe zgjedhjen e presidentit të ardhshëm.

Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi tha për Radion Evropa e Lirë se kërkesa për vazhdimin e seancës është “e drejtë”.

“Fakti që afati kushtetues prej 30 ditësh tashmë është shkelur nuk do të thotë se procesi duhet të ndalet. Përkundrazi, pas shkeljes së afatit, obligimi për konstituimin e Kuvendit vazhdon dhe deputetët duhet ta përfundojnë këtë proces pa vonesa të tjera”, tha Jakaj.

Sipas tij, Kushtetuta nuk parasheh shpërndarjen automatike të Kuvendit pas kalimit të afatit 30-ditor.

“Seanca duhet të vazhdojë pikërisht aty ku është ndërprerë dhe Kuvendi duhet të procedojë me zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve. Negociatat për zgjedhjen e presidentit janë proces tjetër kushtetues dhe nuk mund të vendosen si parakusht për konstituimin e Kuvendit”, tha Jakaj.

Për çështjen e afatit, 14 organizata të shoqërisë civile, të udhëhequra nga AVONET-i, i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese.

Dehari ka thënë se seanca nuk duhet të vazhdojë pa një marrëveshje politike mes partive.

Në thelb të mosmarrëveshjes mbetet edhe zgjedhja e presidentit të ardhshëm. LVV-ja kërkon një kandidat konsensual dhe jopartiak, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka kërkuar që posti i presidentit t’i takojë asaj.

PDK-ja ka insistuar që fillimisht të përfundojë konstituimi i Kuvendit, ndërsa AAK-ja ka kërkuar respektimin e afateve kushtetuese dhe e ka fajësuar LVV-në për bllokimin institucional.

Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje partive që të arrijnë sa më shpejt marrëveshje për një kandidat të përbashkët për president, duke paralajmëruar se vonesat në formimin e institucioneve mund t’i pengojnë reformat dhe të ndikojnë në përfitimin e fondeve të BE-së.

PDK-ja dhe AAK-ja mblidhen në Kuvend, Dehari këmbëngul për marrëveshje politike

Deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, më 12 gusht 2026.

Radio Evropa e Lirë

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës po qëndrojnë sot në sallën e Kuvendit, duke kërkuar nga kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, që ta thërrasë vazhdimin e saj.

PDK-ja kishte paralajmëruar se deputetët e saj do të paraqiteshin në Kuvend në orën 11:00, pavarësisht nëse Dehari do ta thërriste zyrtarisht seancën.

Të njëjtit qëndrim i është bashkuar edhe Aleanca. Deputeti i kësaj partie, Besnik Tahiri, ka thënë se deputetët e AAK-së do t’u bashkohen atyre të PDK-së në sallën plenare.

“Siç e dini, PDK-ja ka thirrë seancë në orën 11:00 dhe Aleanca do të marrë pjesë”, ka thënë Tahiri.

Ai u ka bërë thirrje institucioneve që të garantojnë transparencë, duke pretenduar se mediat nuk po lejohen të marrin pjesë në seancë.

PDK-ja, ndërkaq, ka kërkuar që Kuvendi të hapet dhe seanca konstituive të vazhdojë.

“Reflektoni – HAPENI KUVENDIN!”, ka shkruar kjo parti, duke iu drejtuar kryesuesit Avni Dehari.

Ndërsa, Dehari ka shkruar gjithashtu në Facebook duke rikujtuar se, kur vitin e kaluar u kishte bërë thirrje deputetëve të opozitës që të votonin për konstituimin e Kuvendit, përgjigjja e tyre kishte qenë se “nevojitet marrëveshje politike”.

Sipas tij, atëherë tejkalimi i afatit nuk ishte problematizuar nga partitë opozitare.

Ai pretendon gjithashtu se Gjykata Kushtetuese, në aktgjykimet e mëvonshme për çështjen e konstituimit, u kishte kërkuar palëve të vazhdonin përpjekjet për konstituim edhe pas tejkalimit të afatit, duke e vlerësuar nevojën për konstituimin e Kuvendit si më të rëndësishme se afati.

Afati 30-ditor ka përfunduar

Përplasja rreth vazhdimit të seancës vjen pasi ka përfunduar afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit, i përcaktuar me Kushtetutë dhe i interpretuar nga Gjykata Kushtetuese në Aktgjykimin KO124/25.

Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit u certifikuan më 8 korrik, ndërsa afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit përfundoi më 7 gusht.

Seanca konstituive nisi më 6 gusht, por Kuvendi nuk arriti të përfundonte zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve. Procesi mbeti pezull për shkak të mungesës së një marrëveshjeje politike.

Pikërisht për zbatimin e këtij aktgjykimi, 14 organizata të shoqërisë civile, të udhëhequra nga AVONET, i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese.

Në thelb të ngërçit politik mbetet çështja e zgjedhjes së presidentit të ardhshëm.

Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar një marrëveshje më të gjerë politike dhe një kandidat konsensual e jopartiak për president, ndërsa LDK-ja ka kërkuar që posti t’i takojë asaj.

PDK-ja ka insistuar që fillimisht të respektohen procedurat kushtetuese dhe të përfundojë konstituimi i Kuvendit. Aleanca, ndërkaq, ka kërkuar respektimin e afateve kushtetuese dhe ka fajësuar Vetëvendosjen për bllokimin institucional.

Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje partive politike në Kosovë që të arrijnë sa më shpejt marrëveshje për një kandidat të përbashkët për president, duke paralajmëruar se vonesat në formimin e institucioneve mund të pengojnë reformat dhe të ndikojnë në përfitimin e fondeve të BE-së.

Ndërkohë, sot në Kuvend është planifikuar edhe dita e tretë e aktivitetit tradicional “Bashkatdhetarët në Kuvend”, që nis në orën 12:00.

Shefi i KFOR-it: Trupat mund të shtohen nëse rrezikohet siguria në Kosovë

Gjeneralmajor Ozkan Ulutash, komandant i misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO-ja, takohet me Zlatan Elekun, kryetar i Listës Serbe, në selinë e KFOR-it në Kampin Film City, Prishtinë, Kosovë, 11 gusht 2026.

Radio Evropa e Lirë

Komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, gjeneralmajor Ozkan Ulutash, është takuar të martën me presidentin e Listës Serbe, Zlatan Elek, pas kundërshtimit të kësaj partie ndaj procesit të uljes graduale të pranisë së KFOR-it në urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

Takimi u zhvillua me kërkesë të Elekut në selinë e KFOR-it në Kampin Film City, në Prishtinë.

Në takim morën pjesë edhe nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, deputetja e kësaj partie në Kuvendin e Kosovës, Jovana Radosavljeviq, dhe kryetari i Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviq.

Sipas KFOR-it, palët diskutuan për një sërë çështjesh, përfshirë situatën e sigurisë në veri të Kosovës dhe zbatimin e procesit të paralajmëruar për optimizimin e pozicionimit të KFOR-it.

Komandanti i KFOR-it u tha përfaqësuesve të Listës Serbe se procesi i optimizimit është nisur si rezultat i përmirësimit të situatës së sigurisë në Kosovë.

Ai theksoi se procesi do të zhvillohet gradualisht dhe do të jetë i bazuar në kushtet në terren, ndërsa trupat mund të rikthehen nëse zhvillimet e ardhshme ndikojnë në sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetin rajonal.

KFOR-i tha se do të mbetet i pajisur dhe i pozicionuar për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi relevant.

“Tranzicioni gradual i pranisë së KFOR-it nga ura kryesore në Mitrovicë është në fazën fillestare”, thuhet në njoftimin e misionit.

KFOR-i theksoi se, edhe pas përfundimit të procesit, do të mbajë një prani të fuqishme në Mitrovicën e Veriut dhe në pjesën veriore të Kosovës.

Lista Serbe kishte reaguar kundër njoftimit për uljen graduale të pranisë së KFOR-it në urën mbi Ibër, duke kërkuar që kjo masë të ndalej.

Partia më e madhe e serbëve të Kosovës kishte kërkuar takim urgjent me komandantin e KFOR-it për t’ia përcjellë shqetësimet e komunitetit serb në veri.

Lista Serbe kishte argumentuar se, për shkak të situatës politike dhe të sigurisë dhe tensioneve që në të kaluarën kanë shoqëruar zonën e urës, çdo ndryshim në praninë e forcave të sigurisë duhet të bëhet me kujdes.

Ajo kishte thënë gjithashtu se Policia e Kosovës nuk e gëzon besimin e serbëve në veri dhe se prania e KFOR-it në urë është një “faktor i rëndësishëm stabiliteti”.

Ura kryesore mbi lumin Ibër lidh Mitrovicën e Jugut me shumicë shqiptare me Mitrovicën e Veriut me shumicë serbe. Ajo është ruajtur nga trupat e KFOR-it që nga përfundimi i luftës në vitin 1999 dhe për vite me radhë ka qenë një prej pikave më të ndjeshme të sigurisë në veri të Kosovës.

Aktualisht, ura është e hapur vetëm për këmbësorë.

Misioni i NATO-s theksoi se vazhdon ta përmbushë mandatin e tij në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, duke kontribuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe lirisë së lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë.

KFOR-i tha se do të vazhdojë të veprojë në mënyrë të paanshme dhe në koordinim me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, në përputhje me rolet e tyre përkatëse në fushën e sigurisë.

Shoqëria civile i drejtohet Kushtetueses për afatin e konstituimit të Kuvendit

Fotografi ilustruese nga seanca parlamentare në Kuvendin e Kosovës më 27 qershor 2025.

 

Radio Evropa e Lirë

Katërmbëdhjetë organizata të shoqërisë civile i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese të Kosovës me kërkesë që të ndërmarrë veprime lidhur me zbatimin e Aktgjykimit që përcakton afatin për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Organizatat, të udhëhequra nga AVONET, kërkojnë nga Gjykata të vlerësojë nëse aktgjykimi i saj është zbatuar në përputhje me përcaktimet dhe afatet e tij, pas dështimit të Kuvendit që të përfundojë procesin e konstituimit brenda afatit kushtetues.

Rrezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit u certifikuan më 8 korrik, ndërsa afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit përfundoi më 7 gusht.

Në këtë rast, seanca konstituive e Kuvendit u hap më 6 gusht, por nuk përfundoi me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit. Vazhdimi i seancës ishte caktuar për 8 gusht, pra pas përfundimit të afatit 30-ditor.

Pikërisht për këtë arsye, AVONET dhe 13 organizatat e tjera kërkojnë që Gjykata Kushtetuese të shqyrtojë nëse Aktgjykimi përkatës është zbatuar në mënyrë të rregullt.

“Qëllimi është të sigurohet qartësi juridike dhe institucionale lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit dhe respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në njoftimin e publikuar.

Partitë të ndara për afatin e konstituimit

Partia Demokratike e Kosovës ka insistuar se procesi i konstituimit duhet të përfundojë pa vonesa të mëtejshme, duke argumentuar se obligimi kushtetues vazhdon të jetë në fuqi edhe pas skadimit të afatit 30-ditor. Ajo ka kërkuar që seanca të vazhdojë dhe ka paralajmëruar veprime ligjore, politike dhe demokratike.

Lidhja Demokratike e Kosovës po ashtu ka insistuar në respektimin e afateve dhe procedurave kushtetuese, ndërsa ka zhvilluar disa takime me Lëvizjen Vetëvendosje për të gjetur një marrëveshje.

Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje ka mbështetur nevojën për një marrëveshje politike para vazhdimit të procesit. Kryetari i saj, Albin Kurti, ka kërkuar kohë për konsultime me partitë, veçanërisht për çështjen e zgjedhjes së presidentit të ardhshëm.

Ndërsa, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kërkuar vazhdimisht respektimin e afateve kushtetuese dhe ka fajësuar Vetëvendosjen për bllokimin e procesit, ndërsa ka refuzuar takimet e propozuara nga Kurti.

Kuvendi ende në ngërç

Kërkesa e organizatave vjen në një kohë kur Kosova vazhdon të jetë pa Kuvend të konstituuar, më shumë se dy muaj pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit.

Seanca konstituive e Kuvendit nisi më 6 gusht, por procesi u përball me shtyrje dhe paqartësi rreth mënyrës se si do të vazhdohej me konstituimin e plotë të institucionit.

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kishte kërkuar kohë shtesë për konsultime me partitë e tjera politike, duke e lidhur nevojën për një marrëveshje më të gjerë edhe me zgjedhjen e presidentit të ardhshëm.

Mungesa e një marrëveshjeje politike për presidentin ishte një prej çështjeve që çoi Kosovën në zgjedhje të parakohshme.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje aktorëve politikë që të arrijnë sa më shpejt një marrëveshje për një kandidat të përbashkët për president, duke paralajmëruar se vonesat në formimin e institucioneve mund të pengojnë reformat dhe të ndikojnë në përfitimin e fondeve të BE-së.

Ngërçi institucional ka pasoja edhe për zbatimin e Agjendës së Reformave në kuadër të Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor.

Kosovës i janë alokuar 882.6 milionë euro në kuadër të këtij plani për periudhën 2024–2027. Deri tani, vendi ka pranuar 61.8 milionë euro në formë parafinancimi.

Për pjesën tjetër të mjeteve, Kosova duhet të dëshmojë zbatimin e reformave të përcaktuara në Agjendën e Reformave.

Gjithsej 27 hapa reformues, me vlerë prej 165.9 milionë eurosh, kanë afat përfundimtar për përmbushje deri në dhjetor të vitit 2026.

Komisioni Evropian ka paralajmëruar se kriza politike tashmë ka ndikuar në ritmin e zbatimit të reformave dhe ka vënë në rrezik një pjesë të financimit.

Senatorja republikane Joni Ernst viziton Kosovën, takohet me Haxhiun dhe komandantin e KFOR-it

Senatorja amerikane, Joni Ernst, gjatë takimit me ushtruesen e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu.

 

Radio Evropa e Lirë

Senatorja amerikane, Joni Ernst, po qëndron për vizitë në Kosovë, ku më 11 gusht është takuar me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, dhe me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajorin Ozkan Ulutash.

Haxhiu tha se me senatoren republikane nga Ajova ka diskutuar për zhvillimet aktuale politike në Kosovë, çështjet e sigurisë dhe rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.

Haxhiu shkroi në Facebook se Ernst është një mike e dëshmuar e Kosovës dhe një zë i rëndësishëm në mbështetje të partneritetit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ernst po e viziton Kosovën në një kohë të ngërçit institucional, pasi partitë politike dështuan ta konstituojnë Kuvendin pas zgjedhjeve të qershorit, brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, ndërsa vendi ka një ushtruese të detyrës së presidentes dhe një kryeministër në detyrë.

Deri në publikimin e këtij lajmi, senatorja Ernst nuk kishte bërë deklarata publike për përmbajtjen e takimeve të saj në Kosovë.

Haxhiu njoftoi se e ka dekoruar Ernstin me Medaljen Presidenciale të Meritave për, siç tha, kontributin e saj në fuqizimin e partneritetit Kosovë–SHBA dhe në mbështetjen e zhvillimit të kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës.

Ernst është anëtare e Komitetit për Shërbimet e Armatosura të Senatit amerikan.

Gjatë së martës, ajo vizitoi edhe selinë e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, në Camp Film City në Prishtinë, ku u prit nga komandanti i misionit, Ulutash.

KFOR-i njoftoi për takimin, por nuk dha hollësi për temat e diskutuara.

Ambasada amerikane në Prishtinë kishte njoftuar një ditë më herët për mbërritjen e Ernstit në Kosovë. Sipas Ambasadës, ajo mori pjesë në takime në selinë diplomatike amerikane dhe vizitoi Manastirin e Graçanicës, pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.

Gjatë vizitës në Graçanicë, Ernst u takua edhe me mitropolitin e Rashkës dhe Prizrenit, Teodosije, sipas njoftimit të Dioqezës Rashkës dhe Prizrenit të Kishës Ortodokse Serbe.

Dioqeza tha se Teodosije i ka shprehur senatores shqetësime lidhur me pozitën e komunitetit serb dhe të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, si dhe me zhvillimet e fundit të sigurisë.

Sipas saj, në takim u diskutua edhe për fillimin e integrimit gradual të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në arkitekturën e sigurisë së KFOR-it në Manastirin e Deçanit, si dhe për situatën në urën mbi Ibër në Mitrovicë.

KFOR-i njoftoi më 10 gusht se ka nisur “tranzicionin gradual” të pranisë së tij të përhershme nga ura kryesore mbi Ibër në Mitrovicë, si dhe “integrimin gradual” të Policisë së Kosovës në arkitekturën e sigurisë së KFOR-it në Manastirin e Deçanit.

Teodosije ka kërkuar që KFOR-i të vazhdojë të ketë rol të rëndësishëm në garantimin e sigurisë në këto zona, duke argumentuar se niveli i besimit ndërmjet komuniteteve dhe institucioneve mbetet i ulët.

Ernst e kishte vizituar Kosovën edhe në vitin 2021. Në një intervistë të atëhershme për Radion Evropa e Lirë, ajo kishte shprehur mbështetje për zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës drejt një ushtrie, për aspiratat e Kosovës për anëtarësim në NATO dhe për një marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ajo kishte paralajmëruar gjithashtu për rritjen e ndikimit rus në Ballkanin Perëndimor.

Sébastien Gricourt: Në Kosovë, ju keni zhgënjyer shumë njerëz pasi atje të gjithë (përveç 4% të pakicës serbe) janë mbështetës të popullit ukrainas!

Sébastien Gricourt, që i drejtohet publikisht Presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelensky, është një ekspert dhe zyrtar francez i cili shërben si një pikë e rëndësishme lidhëse midis Francës dhe Kosovës, me një angazhim të gjatë profesional dhe personal në rajonin e Ballkanit që nga fillimi i viteve ’90.

 

I dashur President Zelensky,

Ndërsa bota demokratike ju admiron ju dhe popullin tuaj,

ne pyesim veten se çfarë shkuat të gjeni në #Beograd pranë autokratit #Vuçiç.

A ishit në mision për disa shtete anëtare të BE-së duke shpresuar më kot se #Serbia do të ndahet nga #Rusia (dhe #Kina) dhe do të sillej si një kandidat i ndershëm dhe i sinqertë për BE-në, siç është #Ukraina?

A jeni mirënjohës për disa municione që Serbia po u dërgon trupave tuaja ndërsa mercenarët serbë po i shërbejnë Rusisë kundër vendit tuaj?

Apo ndoshta keni pasur një objektiv tjetër…

Sidoqoftë, cilado qoftë arsyeja dhe strategjia shtetërore që kanë motivuar qëndrimin tuaj në Beograd, në #Kosovë, ju keni zhgënjyer shumë njerëz pasi të gjithë njerëzit e saj (përveç 4% të pakicës serbe) janë mbështetës të popullit ukrainas

(disa nga gazetarët tuaj janë madje të pritur nga Qeveria, dhe a e dinit se ka trajnime për çminim për djemtë tuaj në Kosovë?).

Gjithsesi, ne qëndrojmë me ju në solidaritet të plotë ndërsa të gjithë po luftojmë për një #Evropë të fortë, të lirë dhe demokratike.

Me respekt nga #Prishtina, nga një shtet i pavarur, një shtet që Ukraina një ditë do ta njohë plotësisht vlerat për të cilat po luftoni me guxim.

#slavaukraina

Haxhiu: Ideja e Serbisë për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit, “qasje shoviniste dhe destabilizuese”

Radio Evropa e Lirë

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, e ka cilësuar si “absurde”, “kërcënuese” dhe qasje “shoviniste” idenë e përmendur sërish nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për ndryshimin e rrjedhës së lumit Ibër.

Duke folur më 10 gusht në Konferencën e Ambasadorëve të Kosovës, Haxhiu kërkoi që deklaratat e Vuçiqit të adresohen me partnerët ndërkombëtarë, duke paralajmëruar për pasojat që një ndërhyrje në rrjedhën e Ibrit do të mund të kishte për Kosovën.

“Siç e dini, (kanali i ujitjes) Ibër-Lepenci dhe liqeni i Ujmanit janë pjesë e një sistemi jetik për furnizim me ujë, për energjinë, bujqësinë, dhe jetën e qindra mijërave qytetarëve të Kosovës”, tha Haxhiu.

Haxhiu u kërkoi diplomatëve kosovarë që deklaratat e presidentit serb t’ua bëjnë të njohura qeverive të vendeve ku shërbejnë.

“Duhet ta bëjmë të qartë se përdorimi i burimeve ujore si instrument presioni ndaj Kosovës është i papranueshëm dhe se ide të tilla që ringjallin qasje shoviniste dhe destabilizuese ndaj Kosovës duhet të marrin vëmendjen dhe reagimin e duhur ndërkombëtar”, tha ajo.

Reagimi vjen një ditë pasi Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha se Serbia ka filluar punën konkrete në drejtim të kësaj ideje.

“Ne tashmë kemi ftuar ekspertët që merren me këtë çështje, sektorin e ndërtimit, inxhinierë dhe të tjerë. Meqë po e maltretojnë kaq shumë popullin tonë, të shohim, kemi arsye të ndryshme për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit, dhe pastaj do të shohim se çfarë do të bëjnë shqiptarët dhe si do të sillen”, deklaroi Vuçiq më 9 gusht gjatë një vizite në një punishte në Beograd.

Tutje, Vuçiq ka folur sërish për këtë temë të hënën duke thënë se “nuk po kërcënon askënd, por se po merret me rrjedhat ujore në territorin e Serbisë”.

“Tani, natyrisht, shkencëtarët, inxhinierët dhe të gjithë të tjerët do të ulen, do ta shqyrtojnë çështjen dhe do të më propozojnë se si mund të realizohet kjo, dhe kaq. Unë nuk kam kërcënuar askënd. Nuk jam unë Kurti që t’i kërcënoj njerëzit. Nuk po kërcënoj askënd. Ne thjesht do të merremi me problemet tona. Ne kemi interesat tona dhe merremi me to”, tha Vuçiq për media, siç ka cituar media serbe, Tanjug.

Ideja për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit nuk është e re.

Në dhjetor të vitit 2024, pas shpërthimit që dëmtoi kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin Potok, Vuçiq kishte thënë se që nga viti 1985 ekziston një ide për ndryshimin e rrjedhës së lumit për nevojat e popullatës në Serbi.

Ai kishte thënë atëherë se vetë kishte qenë kundër saj.

Lumi Ibër, rreth 270 kilometra i gjatë, buron në Mal të Zi, kalon nëpër Serbi dhe më pas në Kosovë, ku mbush liqenin artificial të Ujmanit. Dy të tretat e këtij liqeni gjenden në territorin e Kosovës. Uji nga ky sistem furnizon shtatë komuna, përdoret për ujitje dhe për ftohjen e termocentraleve në Obiliq, që prodhojnë pjesën më të madhe të energjisë elektrike në Kosovë.

Ekspertët e intervistuar më herët nga Radio Evropa e Lirë kanë thënë se ndryshimi i rrjedhës së Ibrit është teknikisht i mundur, por do të ishte jashtëzakonisht i kushtueshëm dhe, nëse do të dëmtonte Kosovën, do të binte ndesh me parimet e së drejtës ndërkombëtare për ujërat ndërkufitare.

Serbia është palë e Konventës së Kombeve të Bashkuara të vitit 1997 për përdorimin jo-navigacional të ujërave ndërkombëtare.

Ajo përcakton, ndër të tjera, parimin e shfrytëzimit të drejtë dhe të arsyeshëm të ujërave ndërkufitare dhe obligimin për të mos shkaktuar dëm të konsiderueshëm ndaj shteteve të tjera. Kosova nuk është palë e kësaj konvente, pasi nuk është anëtare e OKB-së.

KFOR-i nis “tranzicionin gradual” të pranisë nga ura mbi Ibër, Lista Serbe kundërshton

Doruntina Baliu

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, ka njoftuar se ka nisur “tranzicionin gradual të pranisë” së tij të përhershme nga ura kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, KFOR-i tha se ky hap po ndërmerret në përputhje me përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë.

“Misioni KFOR, i udhëhequr nga NATO-ja, ka filluar tranzicionin gradual të pranisë së përhershme të KFOR-it nga ura kryesore në Mitrovicë. Në përputhje me përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë, kjo është pjesë e procesit për optimizimin e pozicionimit të KFOR-it”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.

Sipas KFOR-it, ky proces “do të jetë gradual, në varësi të kushteve dhe po koordinohet ngushtë me të gjithë aktorët relevantë, përfshirë përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë dhe të organizatave ndërkombëtare, si dhe me përfaqësuesit e Policisë së Kosovës dhe Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX)”.

KFOR-i tha se edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, gjenerali Millan Mojsilloviq, është informuar rregullisht për këtë proces.

Në përgjigjen e tij, KFOR-i siguroi se personeli i tij “është i pozicionuar mirë për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi relevant, në përputhje me mandatin e kahershëm të KFOR-it nga OKB-ja”.

“KFOR-i do të mbajë një prani të dukshme në jug dhe në veri të Mitrovicës dhe në veri të Kosovës, duke vazhduar kontributin e tij për ruajtjen e një mjedisi të sigurt për të gjitha komunitetet”, thuhet tutje në përgjigjen e dhënë REL-it.

Më herët gjatë ditës, KFOR-i njoftoi se ka filluar “integrimin gradual të Policisë së Kosovës në arkitekturën e sigurisë së KFOR-it në Manastirin e Deçanit”.

Policia e Kosovës deri më tani nuk i është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë, nëse pjesëtarë të saj janë vendosur mbi urën e Ibrit dhe nëse do të vazhdojnë të jenë të pranishëm atje pas largimit të trupave të KFOR-it.

Ura kryesore, që që lidh Mitrovicën e Jugut me shumicë shqiptare me Mitrovicën e Veriut me shumicë serbe, ka qenë në vazhdimësi vatër e tensioneve etnike.

Që nga përfundimi i luftës më 1999, ajo është ruajtur vazhdimisht nga trupat e KFOR-it.

Ndërkohë, Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, ka kundërshtuar tërheqjen apo çfarëdo zvogëlimi të pranisë së pjesëtarëve të KFOR-it në urën kryesore mbi lumin Ibër.

Në një komunikatë për media, kjo parti tha se ka kërkuar takim urgjent me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash, për t’ia përcjellë shqetësimet e komunitetit serb në veri dhe për të kërkuar ndaljen e kësaj mase.

Lista Serbe argumentoi se, për shkak të situatës politike dhe të sigurisë, si dhe tensioneve që në të kaluarën kanë shoqëruar zonën e urës, “çdo vendim për praninë e forcave të sigurisë aty duhet të merret me kujdes”.

Ajo gjithashtu pretendoi se Policia e Kosovës nuk e ka fituar besimin e serbëve në veri dhe tha se prania e KFOR-it në urë përbën “një faktor të rëndësishëm stabiliteti”.

Lista Serbe i bëri thirrje KFOR-it që të ruajë një prani adekuate në urën kryesore dhe të vazhdojë të kontribuojë në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit.

Ndërkaq, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e ka mirëpritur nisjen e procesit të largimit gradual të KFOR-it nga ura, duke thënë se me përmirësimin e situatës së sigurisë do të reduktohet edhe prania e Policisë së Kosovës.

Ai tha se procesi do të zhvillohet në koordinim të ngushtë me KFOR-in dhe paralajmëroi hapa të tjerë drejt hapjes së urës për automjete.

“Është një proces afatshkurtër, i cili do të ofrojë garancë për të gjithë se hapja e urës do të jetë një e mirë për të gjithë, pa pasur ndikim negativ ndaj askujt”, tha Sveçla për RTK Live.

Ura kryesore mbi lumin Ibër aktualisht është e hapur vetëm për këmbësorë, ndërsa Qeveria e Kosovës kishte paralajmëruar hapjen e saj për qarkullimin e automjeteve në korrik të vitit 2024, gjë që kishte nxitur tensione dhe reagime nga bashkësia ndërkombëtare.

Kosova dhe Serbia ishin pajtuar për hapjen e urës për trafik në vitin 2014, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Marrëveshja parashihte revitalizimin e urës dhe largimin e të gjitha barrikadave të vendosura nga serbët lokalë.

Për të tejkaluar mospajtimet rreth interpretimit të marrëveshjeve të mëparshme, në vitin 2016 u dakordua një plan i ri zbatimi, sipas të cilit ura duhej të hapej për trafik në janar të vitit 2017.

Punimet për revitalizimin përfunduan në qershor të vitit 2018. Megjithëse në projekt u investuan rreth 1.5 milion euro, ura nuk u hap asnjëherë për automjete dhe vazhdoi të përdorej vetëm nga këmbësorët.

Ndërkohë, Qeveria e Kosovës ka ndërtuar edhe dy ura të tjera pranë urës kryesore – një për këmbësorë dhe një për automjete – me synimin për të lidhur Mitrovicën e Veriut me Mitrovicën e Jugut, në një qytet që mbetet i ndarë etnikisht që nga lufta.

Konjufca reagon ndaj deklarimit të Zelenskyt lidhur me Kosovën

Radio Evropa e Lirë

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës, Glauk Konjufca, ka reaguar ndaj deklaratës së bërë një ditë më parë nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, duke shprehur keqardhje e duke theksuar se kundërshton paraqitjen e Kosovës përmes prizmit të integritetit territorial të Serbisë.

“Kosova mbetet e palëkundur në mbështetjen e saj për sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës. Në të njëjtën kohë, ne e kundërshtojmë në mënyrë të vendosur çdo paraqitje të Republikës së Kosovës përmes prizmit të integritetit territorial të Serbisë”, tha Konjufca në reagimin e tij në X.

Gjatë vizitës së parë zyrtare në Beograd, Zelensky tha se shteti i tij s’ka ndryshuar qëndrim sa i përket mosnjohjes së Kosovës dhe tha se respekton integritetin territorial të Serbisë dhe të drejtën ndërkombëtare.

Udhëheqësi ukrainas tha se shteti i tij i është mirënjohës Serbisë për respektimin e integritetit territorial të Ukrainës, përfshirë Krimenë – të cilën Rusia e ka aneksuar paligjshëm më 2014.

Konjufca u kundërpërgjigj ndaj kësaj deklarate, duke u shprehur se Kosova do të mirëpriste njohjen nga Ukraina, duke argumentuar se një vendim i tillë do të forconte parimet e lirisë, demokracisë dhe ligjit ndërkombëtar që “Ukraina po i mbron sot”.

Konjufca tha se shteti i Kosovës lindi nga lufta e popullit për liri dhe çlirimi i tyre më 1999 erdhi pas “vite të shtypjes sistematike dhe fushatës gjenocidale të regjimit të Millosheviqit”.

“Ajo që pasoi nuk ishte një akt ankesimi, okupimi apo pushtimi territorial, por një proces gjithëpërfshirës ndërkombëtar nën administratën e Kombeve të Bashkuara dhe ndërmjetësimit ndërkombëtar për statusin final të Kosovës”, tha Konjufca.

Ai tha se kur negociatat përfunduan, i dërguari i posaçëm i OKB-së, Martti Ahtisaari rekomandoi pavarësinë si status final për Kosovën dhe paraqiti një kornizë gjithëpërfshirëse për shtetin e ri, që sipas tij, përfshin disa nga garancitë kushtetuese më të gjera në Evropë sa u përket komuniteteve joshumicë. Konjufca tha se shpallja e pavarësisë ishte kulmim i këtij procesi politik dhe historik, teksa kujtoi se më 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë tha se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.

“Pikërisht për këto arsye, përpjekjet e Rusisë për të përdorur Kosovën si precedent apo si justifikim për pushtimin, okupimin ose përpjekjen për aneksimin e territorit ukrainas janë historikisht dhe juridikisht të pavërteta. Nuk ekziston një paralele e tillë”, tha Konjufca.

Presidenti rus, Vladimir Putin, në të kaluarën e ka përmendur disa herë Kosovën. Në prill të vitit 2022, Putin tha se nëse Kosova mundet të shpallë pavarësinë, pse nuk munden Donjecku dhe Luhansku, duke iu referuar dy rajoneve separatiste ukrainase, që Rusia në shkurt të atij viti i njohu si shtete të pavarura.

“Është fakt që shumë shtete perëndimore e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur. Ne e kemi bërë të njëjtën gjë me republikat e Donbasit”, kishte thënë Putin 26 prill 2022 gjatë një takimi me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së.

Ai po ashtu e ka krahasuar edhe aneksimin e Krimesë nga Rusia me Kosovën.

Kosova vazhdimisht ka kundërshtuar këto krahasime.

Serbia refuzon të pranojë pavarësinë e Kosovës dhe në Kushtetutën serbe, Kosova është ende pjesë e territorit të saj.

Konjufca po ashtu kujtoi se pavarësisht mosnjohjes, Kosova e ka mbështetur Ukrainën që nga dita e parë e luftës, e ka dënuar pushtimin, ka vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë, ka ofruar ndihmë financiare dhe ka strehuar gazetarë ukrainas, si dhe ka ofruar trajnime ushtarake.

“Po aq e rëndësishme është të rikujtohet një dallim i qartë: përderisa Kosova ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, Serbia nuk është përafruar me sanksionet e BE-së të vendosura në përgjigje të luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës”, tha ai.

Në Prishtinë largohet flamuri ukrainas

Konjufca është zyrtari i parë qeveritar që reagon ndaj deklaratës së Zelenskyt në Beograd. Megjithatë, më herët gjatë 9 gushtit, Komuna e Prishtinës ndërmori një veprim për të kundështuar atë që udhëheqësi ukrainas tha.

Komuna e largoi një flamur të vendosur në qendër të qytetit, me mbishkrimin “Free Ukraine” (Liri për Ukrainën).

“Shteti i Kosovës duhet të respektohet. Kur Kosova nuk respektohet, kryeqyteti, Prishtina përgjigjet gjithmonë njëjtë”, tha kryetari i Prishtinës, Përparim Rama në një postim në rrjetet sociale.

Flamuri ishte vendosur në qendër të Prishtinës pas shpërthimit të luftës, në shenjë solidariteti me Ukrainën.

Rama tha se populli i Kosovës gjithmonë solidarizohet me popujt që përballen me luftë, dhunë dhe persekuptim sepse “e dimë çfarë do të thotë të luftosh për liri, dinjitet dhe të drejtën për të ekzistuar si shtet”.

“Por, asnjë kauzë dhe asnjë politikë nuk mund të ndërtohet duke nënçmuar shtetësinë e Kosovës dhe sakrificën e popullit të saj”, shtoi ai.

Shqipëria i reagon Zelenskyt: Barazimi i Kosovës me një situatë tjetër ndërkombëtare është i gabuar

Lidhur me deklaratën e Zelenskyt ka reaguar edhe Shqipëria.

Ministria për Evropë dhe Punë të Jashtme e Shqipërisë e ka cilësuar të gabuar çdo përpjekje për të tërhequr paralele mes Kosovës dhe situatave të tjera ndërkombëtare.

“Nuk duhet të ketë asnjë keqkuptim në këtë pikë: çdo përpjekje për të tërhequr paralele apo për të barazuar Kosovën me ndonjë situatë tjetër ndërkombëtare është e gabuar, oportuniste dhe krejtësisht e pasaktë”, tha Ministria në reagimin e 9 gushtit.

Shqipëria tha se Kosova ka themelet e saj historike, politike dhe ligjore, duke kujtuar edhe një vendim të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) lidhur me vendimin e Kosovës për të shpallur pavarësinë më 2008.

“Me kërkesë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, GJND-ja ishte e prerë: shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës është një çështje krejtësisht tjetër. Ai përbën shkelje të rëndë të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe të së drejtës ndërkombëtare, si dhe një shkelje flagrante të rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla”, u tha në reagimin e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë.

Sipas Shqipërisë, paqja në Ballkanin Perëndimor dhe e ardhmja evropiane e rajonit kërkon “pranimin e realitetit të pakthyeshëm të pavarësisë së Kosovës”.

“Pavarësia e Kosovës ka kontribuar në stabilitetin rajonal dhe është pjesë e një të ardhmeje në të cilën kufijtë nuk ndryshohen përmes forcës dhe popujt e komunitetet mund ta përcaktojnë të ardhmen e tyre në paqe dhe siguri”, u tha në reagim.

Shqipëria, vend anëtar i NATO-s dhe kandidate për anëtarësim në BE, përsëriti qëndrimin se mbështet sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.

Tirana tha se është “e kuptueshme” dhe “legjitime” që vizita e Zelenskyt në Serbi, para së gjithash, i shërben interesave të Ukrainës. Megjithatë shtoi se çdo hap që i ndihmon Serbinë të largohet “nga ndikimi keqdashës i Rusisë dhe të afrohet me Evropën është pozitiv”.

Edhe pse është kandidate për anëtarësim në BE, Serbia për gati pesë vjet nuk ka hapur asnjë kapitull të ri negociues.

Dy muaj pas hapjes së kapitullit të fundit në negociatat për anëtarësim filloi lufta në Ukrainë, ndërsa Serbia nuk e harmonizoi politikën e saj të jashtme me bllokun për të sanksionuar Rusinë. Në atë kohë, kjo ishte arsyeja kryesore për ngecjen e negociatave të anëtarësimit, teksa ndërkohë Beogradi ka pasur përkeqësim edhe në fushën e sundimit të ligjit.

Kosova heq flamurin ukrainas pas deklaratës së Zelenskyt, reagon edhe Shqipëria

Flamuri i Ukrainës me mbishkrimin “Free Ukraine” (Liri për Ukrainën) u hoq nga autoritetet komunale të Prishtinës, pas deklaratës së Zelenskyt.

 

Radio Evropa e Lirë

Për shkak të deklaratës së bërë një ditë më parë nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, kundër pavarësisë së Kosovës, Komuna e Prishtinës ka larguar një flamur me mbishkrimin “Free Ukraine” (Liri për Ukrainën).

“Shteti i Kosovës duhet të respektohet. Kur Kosova nuk respektohet, kryeqyteti, Prishtina përgjigjet gjithmonë njëjtë”, tha kryetari i Prishtinës, Përparim Rama në një postim në rrjetet sociale.

Flamuri ishte vendosur në qendër të Prishtinës pas shpërthimit të luftës, në shenjë solidariteti me Ukrainën.

Rama tha se populli i Kosovës gjithmonë solidarizohet me popujt që përballen me luftë, dhunë dhe persekuptim sepse “e dimë çfarë do të thotë të luftosh për liri, dinjitet dhe të drejtën për të ekzistuar si shtet”.

“Por asnjë kauzë dhe asnjë politikë nuk mund të ndërtohet duke nënçmuar shtetësinë e Kosovës dhe sakrificën e popullit të saj”, shtoi ai.

Gjatë vizitës së parë zyrtare në Beograd, Zelensky tha se shteti i tij s’ka ndryshuar qëndrim sa i përket mosnjohjes së Kosovës dhe tha se respekton integritetin territorial të Serbisë dhe të drejtën ndërkombëtare.

Udhëheqësi ukrainas tha se shteti i tij i është mirënjohës Serbisë për respektimin e integritetit territorial të Ukrainës, përfshirë Krimenë – të cilën Rusia e ka aneksuar paligjshëm më 2014.

Ndonëse Kievi nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, Prishtina i është bashkuar sanksioneve evropiane dhe të Shteteve të Bashkuara kundër Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë. Vendi po ashtu ka strehuar gazetarë ukrainas, që janë larguar nga shteti i tyre për shkak të luftës.

Shqipëria i reagon Zelenskyt: Barazimi i Kosovës me një situatë tjetër ndërkombëtare është i gabuar

Lidhur me deklaratën e Zelenskyt ka reaguar edhe Shqipëria.

Ministria për Evropë dhe Punë të Jashtme e Shqipërisë e ka cilësuar të gabuar çdo përpjekje për të tërhequr paralele mes Kosovës dhe situatave të tjera ndërkombëtare.

“Nuk duhet të ketë asnjë keqkuptim në këtë pikë: çdo përpjekje për të tërhequr paralele apo për të barazuar Kosovën me ndonjë situatë tjetër ndërkombëtare është e gabuar, oportuniste dhe krejtësisht e pasaktë”, tha Ministria në reagimin e 9 gushtit.

Shqipëria tha se Kosova ka themelet e saj historike, politike dhe ligjore, duke kujtuar edhe një vendim të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) lidhur me vendimin e Kosovës për të shpallur pavarësinë më 2008.

“Me kërkesë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, GJND-ja ishte e prerë: shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës është një çështje krejtësisht tjetër. Ai përbën shkelje të rëndë të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe të së drejtës ndërkombëtare, si dhe një shkelje flagrante të rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla”, u tha në reagimin e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë.

Sipas Shqipërisë, paqja në Ballkanin Perëndimor dhe e ardhmja evropiane e rajonit kërkon “pranimin e realitetit të pakthyeshëm të pavarësisë së Kosovës”.

“Pavarësia e Kosovës ka kontribuar në stabilitetin rajonal dhe është pjesë e një të ardhmeje në të cilën kufijtë nuk ndryshohen përmes forcës dhe popujt e komunitetet mund ta përcaktojnë të ardhmen e tyre në paqe dhe siguri”, u tha në reagim.

Shqipëria, vend anëtar i NATO-s dhe kandidate për anëtarësim në BE, përsëriti qëndrimin se mbështet sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.

Tirana tha se është “e kuptueshme” dhe “legjitime” që vizita e Zelenskyt në Serbi, para së gjithash, i shërben interesave të Ukrainës. Megjithatë shtoi se çdo hap që i ndihmon Serbinë të largohet “nga ndikimi keqdashës i Rusisë dhe të afrohet me Evropën është pozitiv”.

Edhe pse është kandidate për anëtarësim në BE, Serbia për gati pesë vjet nuk ka hapur asnjë kapitull të ri negociues.

Dy muaj pas hapjes së kapitullit të fundit në negociatat për anëtarësim filloi lufta në Ukrainë, ndërsa Serbia nuk e harmonizoi politikën e saj të jashtme me bllokun për të sanksionuar Rusinë. Në atë kohë, kjo ishte arsyeja kryesore për ngecjen e negociatave të anëtarësimit, teksa ndërkohë Beogradi ka pasur përkeqësim edhe në fushën e sundimit të ligjit.

Serbia refuzon të pranojë pavarësinë e Kosovës dhe në Kushtetutën serbe, Kosova është ende pjesë e territorit të saj. Ndërkaq, dy vendet zhvillojnë negociata për normalizim të raporteve që nga viti 2011 me ndërmjetësimin e bllokut evropian.

Sherr mes deputetëve në Kuvendin e Kosovës – Deputetja e AAK gjuan me vezë drejt Kurtit! Tensione në seancën konstituive

Ka rinisur punimet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, e cila ka startuar më 6 gusht. Seanca po drejtohet nga kryesuesi Avni Dehari, ndërsa në sallë janë të pranishëm 109 deputetë.

Raportohet se situata është shoqëruar me tensione pasi deputetja e AAK, Time Kadriaj ka goditur me vezë drejt kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke nxitur përplasje mes të gjithë deputetëve në sallë.

Pavarësisht tensioneve dhe kaosit të krijuar në përplasjen mes parlamentarëve, seanca e sotme është thirrur për të shqyrtuar vetëm dy pika kyçe në rendin e ditës:

-Zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit;

-Zgjedhjen e Nënkryetarëve të Kuvendit.

-Zgjedhja e kryesisë së re shihet si hapi vendimtar për t’i hapur rrugë konstituimit të plotë të Kuvendit dhe vazhdimësisë së krijimit të institucioneve të reja në vend. bw

Kurti i ofron PDK-së postin e kryetarit të Kuvendit në këmbim të votës për presidentin

Lideri i VV-së, Albin Kurti, përmes një letre drejtuar kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, i ka ofruar këtij të fundit që PDK’ja ta ketë pozitën e kryetarit të parlamentit.

Përmes letrës së tij, Kurti i drejtohet Hamzës duke thënë se, zgjedhja e presidentit duhet të bëhet nga të gjithë bashkë, siç e kërkon kushtetueshmëria.

Letra:

I nderuar kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, z. Bedri Hamza

Ju faleminderit për përgjigjen e sotme. Më duhet ta pranoj se nuk po e kuptoj pse të mos takohemi dhe t’i bisedojmë shumë gjëra shtruar për hir të institucioneve të Republikës dhe interesit të qytetarëve. Komunikimi ynë duhet të jetë politik e kolegjial nga afër dhe jo vetëm zyrtar e me letra nga larg. Sidoqoftë, unë po i përgjigjem qëndrimit që keni shprehur ju në letrën e sotme.

E respektoj pozicionin tuaj për të mbetur në opozitë. Mirëpo, edhe konstituimin e Kuvendit edhe zgjedhjen e Presidentit/es të ri/e duhet ta bëjmë të gjithë bashkë siç e kërkon kushtetutshmëria tek e cila u betuam si deputetë të rinj dje. Ju letrën e përmbyllni duke thënë se “PDK do të japë kontributin e saj për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës”.

Kontributi i juaj në këtë pikë është veçse propozimi i emrit për nënkryetar nga partia juaj i/e cili/a zgjidhet vetëm pasi të votojmë edhe ne për të. Kontribut real mund të jepni pikërisht te zgjedhja e Presidentit/es, e cila do të na i evitonte edhe një palë zgjedhje të panevojshme e të paarsyeshme, gjithsesi të dëmshme si për buxhetin e shtetit ashtu edhe për ekonominë e vendit.

Meqë refuzoni të takohemi, më lejoni t’ua përsëris edhe njëherë ofertën tonë. Për qëndrimin tuaj në sallë dhe për pjesëmarrje në votimin për President/e të ri/e të Republikës jemi të gatshëm që ta bëjmë rokadën e nënkryetarit/es suaj të Kuvendit me kryetarin/en e Kuvendit nga ne. Ky do të ishte një kontribut i juaji me përfitim për PDK-në: udhëheqjen e njërës nga tri pozitat e larta politike shtetërore në Republikën e Kosovës.

 

 

Seanca konstituive vazhdon të shtunën, megjithëse afati kushtetues për Kuvendin mbaron në mesnatë

Radio Evropa e Lirë

Vazhdimi i seancës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës pas zgjedhjeve të qershorit do të mbahet të shtunën paradite, ka vendosur kryesuesi i saj Avni Dehari, pavarësisht se një afat kushtetues për përfundimin e saj mbaron qysh sonte në mesnatë.

Seanca konstituive mbeti në gjysmë të enjten, kur Dehari vendosi ta shtyjë atë për kohë të papërcaktuar pas kërkesës së liderit të partisë në pushtet, kryeministrit në detyrë Albin Kurti, për kohë shtesë për bisedime për një marrëveshje politike për formimin e institucioneve të reja dhe dhënien fund të krizës së gjatë politike.

Tani Dehari e ka thirrur atë për të shtunën në orën 11:00, me gjithë kritikat se seanca duhej të mbahej brenda afatit 30 ditor të caktuar nga Gjykata Kushtetuese, i cili mbaron sonte në mesnatë.

Seanca do të vazhdojë aty ku ka mbetur, me zgjedhjen e kryetarit dhe pesë nënkryetarëve, thuhet në njoftimin Kuvendit.

Njoftimi vjen pak orë pasi Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe kryetari i Lidhjes Demokratike (LDK), Lumir Abdixhiku, mbajtën një tjetër takim të pafrytshëm në bisedimet e tyre për një marrëveshje politike.

Partia më e madhe opozitare në vend, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ishte e shpejtë në kundërshtimin e vendimit të Deharit, duke e quajtur atë “jo vetëm shkelje e Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, por edhe një precedent i rrezikshëm për funksionimin e shtetit ligjor”.

Megjithatë, PDK nuk tregoi nëse 22 deputetë e zgjedhur të saj do të marrin pjesë në seancën e nesërme.

Ekspertët kushtetues thonë për Radion Evropa e Lirë se shpërfillja e këtij afati përbën shkelje kushtetuese.

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës tha se caktimi i vazhdimit të seancës konstituive për të shtunën përbën “shkelje të hapur dhe cenim të drejtpërdrejtë të rendit kushtetues”.

“Kryesuesi Avni Dehari ka pasur obligim ta thërriste vazhdimin sot, në një kohë që do të mundësonte edhe përfundimin e seancës deri në orën 23:59. Afati 48-orësh për pauzën është kufi procedural dhe zbatohet vetëm brenda afatit kushtetues”, theksoi Cakolli.

Ai nënvizoi se menjëherë pas mesnatës, “së paku dhjetë deputetë” duhet t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për ta kundërshtuar vendimin për caktimin e seancës pas afatit dhe të kërkojnë masë të përkohshme për pezullimin e seancës së nesërme para orës 11:00

Ndërkohë, Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, tha se shpërfillja e afatit për konstituimin e Kuvendit përbën shkelje kushtetuese.

Megjithatë, ai i tha Radios Evropa e Lirë më herët se vazhdimi i seancës do të mundë të caktohej pas afatit kushtetues meqë nuk është përcaktuar se cili është sanksioni konkret në rast se Kuvendi nuk konstituohet brenda këtij afati.

“Normalisht, që edhe nëse kalon afati i sotëm, ai [kryesuesi Dehari] duhet ta thërrasë seancën konstitutive. Fatkeqësisht, nuk ka pasojë juridike. Sikur të kishte, do të vepronte në mënyrë të detyrueshme”, tha Jakaj.

Mungesa e marrëveshjes

I gjithë ky zhvillim rreth seancës konstituive vjen si pasojë e mungesës së një marrëveshjeje politike për formimin e institucioneve të reja, një përpjekje për t’i dhënë fund krizës pothuajse dyvjecare politike e institucionale.

Më herët të premten, LVV-ja dhe LDK-ja dështuan të arrijnë marrëveshje edhe pas takimit të katërt mes liderëve të tyre.

Kurti dhe Abdixhiku thanë se dallimet në qëndrime dhe kërkesa mes tyre janë të thella, gjë që e bëjnë shumë të zorshme arritjen e një marrëveshjeje politike.

Mospajtimi kryesor mes tyre është posti i presidentit, të cilin e do me ngulm LDK-ja.

Kurti – partia e të cilit i fitoi bindshëm zgjedhjet duke marrë 53 mandate – tha se “nuk kemi ende marrëveshje politike”.

“Pritjet janë të ndryshme, qëndrimet nuk përputhen dhe është bindja ime që ka një dallim drastik midis rezultatit zgjedhor dhe kërkesave të LDK-së”, theksoi Kurti.

Duke folur për kërkesën e LDK-së, e cila siguroi 18 vende në Kuvend, për postin e presidentit, Kurti nënvizoi se “ne si LVV nuk mund të bëjmë marrëveshje që do ta zëvendësonte vullnetin e popullit dhe do ta deformonte rezultatin zgjedhor”.

Ndërkohë, Abdixhiku tha se në takimet e tyre LDK-ja ka kërkuar që ajo ta propozojë emrin e presidentit, por “në këtë pikë nuk kemi pasuar pajtueshmëri”.

Abdixhiku paralajmëroi se partia e tij nuk ka vullnet për vazhdimin e bisedimeve, nëse nuk i jepet mundësia ta propozojë kandidatin për president.

“Përfaqësimi i vetëm që mund të mbetet është një përfaqësim nga LDK-ja, një emër që e bisedojmë bashkërisht me LVV… nëse kjo nuk mund të arrihet, atëherë me keqardhje them se LDK-ja nuk mund të kontribuojë më tepër për bisedime e takime”, shtoi ai.

Ai tha se oferta e deritanishme që LDK-ja ta ketë postin e kryetarit të Kuvendit, atë të zëvendëskryeministrit dhe disa Ministri, “nuk është e mjaftueshme për të dhënë zgjidhje”.

Por Kurti nguli këmbë se ai është i interesuar të bashkëqeverisë me LDK-në dhe “ata t’i kenë postet e tyre, prej postit të zëvendëskryeministrit dhe disa ministrive”.

Ndërkohë, dy partitë e tjera opozitare, Partia Demokratike dhe Aleanca nuk kanë pranuar të hyjnë në bisedime me Kurtin, duke shprehur qëndrimin se duan të jenë në opozitë.

Kurti ka nevojë për një marrëveshje politike për t’i shmangur edhe një palë zgjedhjesh të parakohshme parlamentare – që do të ishin të katërtat brenda dy vjetëve të fundit.

Ai i ka votat për Kuvendin dhe Qeverinë, por jo edhe për presidentin, për votimin e të cilit nevojitet prania e të paktën 80 deputetëve në sallë.

Dështimi për ta arritur një marrëveshje për ta zgjedhur presidentin e ri të vendit në dy muajt e ardhshëm do ta çonte vendin drejtpërdrejt në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Çfarë ndodh nëse Kuvendi i Kosovës nuk konstituohet deri në mesnatë?

Deputetët e legjislaturës së re gjatë betimit. 6 gusht 2026.

 

Deputetët e rinj të Kuvendit të Kosovës kanë vetëm edhe disa orë kohë për t’u mbledhur, të premten, në ditën e fundit të afatit 30 ditor të caktuar nga Gjykata Kushtetuese, për përfundimin e seancës konstituive të organit ligjvënës.

Eugen Cakolli dhe Naim Jakaj, njohës të çështjeve juridike, ndajnë mendimin se mosrespektimi i afatit përbën shkelje kushtetuese, por japin interpretime të ndryshme për hapat që duhet ose mund të pasojnë.

Cakolli: Nga nesër, nuk mund të thirret seanca konstituive

Moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit kushtetues do ta fuste Kosovën në një situatë të shkeljes së rëndë kushtetuese, vlerëson Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Ai argumenton se afati i 7 gushtit është absolut, dhe se nuk mund të tejkalohet, pavarësisht se Kushtetuta e Kosovës nuk specifikon se cilat janë pasojat juridike të mosrespektimit të tij.

“Më shumë sesa zbrazëti kushtetuese, mungesa e këtij, le të themi, sanksioni, unë besoj që është fakti që nuk është supozuar kur është shkruar Kushtetuta që mund të arrijmë pikën ku Kuvendi nuk e konstituon as veten”, thotë Cakolli.

Me arsyetimin se duhet kohë shtesë për bisedime për çështjen e presidentit, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, më 6 gusht kërkoi që seanca konstituive të shtyhej, dhe nuk dha emër për kryeparlamentar, duke e ndërprerë procesin e konstituimit të organit ligjvënës.

Por, nëse konstituimi nuk ndodh deri në mesnatë, Cakolli vlerëson se nuk do të ekzistojë më bazë kushtetuese që kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ta thërrasë vazhdimin e saj.

“Unë besoj që është e qartë që deputetët, pas mesnatës së sotme, nuk kanë të drejtë të mblidhen as me vetiniciativë, e lëre më që t’i thërrasë zoti Dehari, në këtë rast, si kryesues i seancës, për shkak të moshës së tij”, thotë Cakolli.

Për të, pasojat e ngërçit nuk kufizohen vetëm te Kuvendi.

Ai argumenton se, pas betimit si deputetë, ministrat dhe zëvendësministrat deri tani në detyrë nuk mund të vazhdojnë njëkohësisht ushtrimin e funksioneve ekzekutive.

Për këtë arsye, ai e konsideron Qeverinë në detyrë të Kosovës “pa legalitet dhe pa legjitimitet”, duke paralajmëruar se vendimet e saj mund të jenë objekt kontestimi në gjykata.

Sipas Cakollit, zgjidhja e parë juridike, në rast të moskonstituimit të Kuvendit brenda afatit kushtetues, do të ishte inicimi i një rasti në Gjykatën Kushtetuese. Megjithatë, ai beson se, në aspektin politik, epilogu është pothuajse i pashmangshëm.

“Zgjedhjet janë të pashmangshme, thjesht mbetet të gjendet rruga drejt tyre”, thotë ai.

Ai shton se vendi tashmë ka humbur kohë me krizat institucionale, dhe se një proces i ri zgjedhor do të ishte skenari më i pafavorshëm, por nëse Kuvendi nuk arrin të konstituohet, ai nuk sheh një rrugë tjetër kushtetuese për dalje nga ngërçi.

Jakaj: Moskonstituimi e fut Kosovën në një situatë të paprovuar kushtetuese

Ndonëse pajtohet se mosrespektimi i afatit për konstituimin e Kuvendit përbën shkelje kushtetuese, Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka një interpretim tjetër për hapat që duhet të ndërmerren pas mesnatës së 7 gushtit.

Jakaj thotë se, meqë nuk është përcaktuar se cili është sanksioni konkret në rast se Kuvendi nuk konstituohet brenda këtij afati, është e mundshme edhe thirrja e seancës konstitutive edhe pas 7 gushit.

“Normalisht, që edhe nëse kalon afati i sotëm, ai [kryesuesi Dehari] duhet ta thërrasë seancën konstitutive. Fatkeqësisht, nuk ka pasojë juridike. Sikur të kishte, do të vepronte në mënyrë të detyrueshme”.

Edhe mundësinë e dërgimit të çështjes në Gjykatën Kushtetuese, ai e sheh me rezervë.

Sipas Jakajt, një rast i ri nuk do të zgjidhte domosdoshmërisht krizën politike, pasi Kushtetuesja nuk ka çfarë të thotë tjetër përveç asaj që “deputetët e Kuvendit të Kosovës janë të obliguar që të veprojnë në interesin më të mirë të vendit dhe që [Kuvendi] është dashur të konstituohet brenda 30 ditëve”.

Megjithatë, edhe Jakaj paralajmëron pasoja serioze nëse bllokada vazhdon.

Ai e lidh ngërçin aktual me afatin për zgjedhjen e presidentit, duke kujtuar se ushtrimi i detyrës së presidentit nuk mund të zgjasë më tepër së 6 muaj, përkatësisht deri në fillim të tetorit.

Kryetarja e legjislaturës së 10-të, Albulena Haxhiu, e betuar më 6 gusht si deputete e legjislaturës së 11-të, është ushtruese e detyrës së Presidentes që nga prilli 2026, kur Vjosa Osmanit i përfundoi mandati pesëvjeçar në krye të shtetit të Kosovës.

“Ne do të hyjmë në një situatë të cilën nuk e kemi shkelur asnjëherë… kjo do të prodhojë pasoja të cilat ne nuk i kemi parë më herët, dhe të cilat në rendin demokratik lirisht mund të quhen rrënim i demokracisë”, thotë Jakaj.

Sipas tij, nëse deri në përfundimin e mandatit të ushtruesit të detyrës së presidentit nuk zgjidhen institucionet e reja, Kosova mund të mbetet pa autoritetin që do të mund të shpallte zgjedhjet ose t’ia besonte mandatin për formimin e Qeverisë kandidatit për kryeministër.

Për këtë arsye, ai vlerëson se partitë politike duhet të arrijnë sa më shpejt një marrëveshje që do t’i hapte rrugë konstituimit të Kuvendit, formimit të Qeverisë dhe zgjedhjes së presidentit, në mënyrë që vendi të shmangte, siç e quan ai, një “anarki institucionale”.

Përveç Cakollit dhe Jakajt, edhe pjesëtarë të tjerë të shoqërisë civile në Kosovë kanë bërë thirrje që konstituimi i Kuvendit të përmbyllet brenda afatit kushtetues.

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), në një reagim publik, tha “se interesat partiake kanë tejkaluar interesin publik duke bllokuar funksionimin e institucioneve dhe duke dëmtuar besimin e qytetarëve”.

“Sot nuk ka më hapësirë për justifikime, interpretime të gjëra politike apo shtyrje të mëtejshme. Ekziston vetëm një detyrim i qartë, konstituimi i Kuvendit brenda afatit kushtetues. Çdo dështim për ta përmbushur këtë obligim do të ishte shkelje e kushtetutës dhe një akt i papërgjegjshëm politik dhe institucional”, tha GLPS në reagimin e tij.

Kurti pas takimit me Abdixhikun: Nuk ka marrëveshje për presidentin, ka dallime të mëdha mes kërkesave të LDK-së dhe rezultatit zgjedhor

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se takimi me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ishte i hapur dhe i sinqertë, por nuk ka sjellë një marrëveshje politike mes dy palëve. Kurti tha se arritja e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit është kusht i domosdoshëm për shmangien e një krize të re politike dhe të zgjedhjeve të parakohshme.

Sipas tij, një skenar ku fillimisht konstituohen institucionet, por më pas rikthehet ngërçi për zgjedhjen e presidentit, do të çonte në të njëjtin rezultat si më parë. “Jam i bindur se për qëndrueshmëri përpara, që nënkupton edhe shmangien e zgjedhjeve të reja e të panevojshme, nuk është e mundur ndryshe përveçse me marrëveshje për zgjedhjen e presidentit. Nëse zgjedhim kryetarin dhe Kryesinë e Kuvendit, formojmë qeverinë e re, por sërish përballemi me problemin e presidentit, atëherë kjo është një formulë e provuar dhe nuk mund të presim rezultat tjetër,” tha Kurti.

Ai theksoi se pa një dakordësi për këtë çështje, vendi rrezikon të shkojë drejt shpërndarjes së Kuvendit dhe zgjedhjeve të reja.

“Për momentin nuk kemi marrëveshje politike. Pritjet janë të ndryshme, qëndrimet nuk përputhen,” deklaroi kryeministri në detyrë. Kurti u ndal edhe te kërkesat e LDK-së për postin e presidentit, duke thënë se ato nuk përputhen me rezultatin e zgjedhjeve. “Bindja ime është se ka një dallim drastik mes rezultatit zgjedhor dhe kërkesave të LDK-së. Rezultati zgjedhor është vullnet i popullit dhe ne nuk mund të bëjmë një marrëveshje që do ta deformonte atë rezultat,” u shpreh ai. Sipas Kurtit, çdo marrëveshje politike duhet të respektojë peshën që partitë kanë marrë nga qytetarët në zgjedhje, duke lënë të kuptohet se kjo mbetet një nga pengesat kryesore në negociatat me LDK-në. bw

Abdixhiku: Jemi shumë, shumë larg arritjes së marrëveshjes

Radio Evropa e Lirë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se ai dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, janë “shumë, shumë larg” arritjes së ndonjë marrëveshjeje të mundshme politike për formimin e institucioneve të reja të vendit, pas zgjedhjeve të qershorit.

Duke folur për media pas një takimi me Kurtin të premten, Abdixhiku tha se mospajtimet kryesore mes tyre kanë të bëjnë me postin e presidentit.

“Pra, LDK ka kërkuar që ne ta propozojmë emrin e presidentit, në këtë pikë nuk kemi pasuar pajtueshmëri”, tha Abdixhiku.

Abdixhiku paralajmëroi se partia e tij nuk ka vullnet për vazhdimin e bisedimeve, nëse nuk i jepet mundësia ta propozojë kandidatin për president.

“Përfaqësimi i vetëm që mund të mbetet është një përfaqësim nga LDK-ja, një emër që e bisedojmë bashkërisht me LVV… nëse kjo nuk mund të arrihet, atëherë me keqardhje them se LDK-ja nuk mund të kontribuojë më tepër për bisedime e takime”, shtoi ai.

Ai tha se oferta e deritanishme që LDK-ja ta ketë postin e kryetarit të Kuvendit, atë të zëvendëskryeministrit dhe disa Ministri, “nuk është e mjaftueshme për të dhënë zgjidhje”.

Takimi mes tyre – i katërti deri tani – u zhvillua disa orë para se të përfundojë afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Një ditë më parë, Kurti kërkoi nga kryesuesi Avni Dehari, për të shtyrë seancën konstituive të Kuvendit, duke kërkuar kohë shtesë për një marrëveshje politike që do të jepte një zgjidhje për çështjen e presidentit.

Por, Abdixhiku e përsëriti se sot duhet të ketë seancë konstituive dhe Kosova të ketë kryeparlamentar dhe nënkryetarë kuvendi brenda afatit kushtetues.

LDK së voni ka bërë publik qëllimin se e dëshiron postin e presidentit, teksa Kurti ka insistuar se presidenti i ri duhet të jetë një figurë konsensuale dhe jopartiake.

Vëzhguesit politikë i thanë REL-it se LVV-ja dhe LDK-ja duhet të fokusohen më shumë në programin qeverisës, sesa në ndarjen e posteve.

Dy partitë e tjera, Partia Demokratike dhe Aleanca nuk kanë pranuar të hyjnë në negociata me Kurtin, duke shprehur qëndrimin se duan të jenë në opozitë.

Më herët gjatë ditës, kreu i PDK-së, Bedri Hamza, përmes një shkrese, refuzoi sërish takimin me Kurtin. Ai i është përgjigjur pozitivisht vetëm ftesës së parë të Kurtit dhe pas takimit të tyre më 10 korrik, Hamza deklaroi se partia e tij do të mbetet në opozitë.

Aleanca, ndërkaq, ka refuzuar të gjitha ftesat për takim, duke argumentuar se veçse ka paraqitur disa pika për LVV-në, të cilat nëse përmbushen, Kurti do të ketë shtatë votat e Aleancës për formimin e institucioneve.

Pas shtyrjes së seancës konstituive më 6 gusht, organizatat joqeveritare në Kosovë bënë thirrje për respektimin e afatit kushtetues për formimin e institucioneve, teksa mirëpritën bisedimet për arritjen e një marrëveshjeje politike.

Ndërkaq, ambasadat e akredituara në Kosovë bënë thirrje që Kosova sa më shpejt të ketë institucione me mandat të plotë, në mënyrë që të vazhdohet me agjendën e reformave evropiane.

Nëse partitë nuk arrijnë një ujdi për krijimin e institucioneve, atëherë vendi rrezikon të mbajë zgjedhje të reja – që do të ishin të katërtat në gati dy vjet.

Aktakuzë kundër 20 personave, përfshirë Radoiçiqin, për krime lufte në Gjakovë

Radio Evropa e Lirë

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë për krime lufte në Gjakovë kundër 20 personave. Në mesin e të akuzuarve është edhe Millan Radoiçiq, mëson Radio Evropa e Lirë.

Ky grup prej 20 personash akuzohet për pjesëmarrje në vrasjen e 107 civilëve dhe ndaj tyre, Prokuroria Speciale ka kërkuar mbajtjen e gjykimit në mungesë.

Të akuzuarit, që ngarkohen me veprën penale “krime lufte kundër popullatës civile” u identifikuan nga Prokuroria vetëm me iniciale: M.K., R.C., M.D., P.R., S.K.,L.O., Zh.S., S.S.,L.D.,Z.R., D.G.,Ç.B., V.B., R.B.,R.R.,L.R.,M.Sh.,M.R., S.G. dhe T.A..

Sipas Prokurorisë, gjatë viteve 1998-1999, M.K., në cilësinë e shefit të Sekretariatit të Punëve të Brendshme në Gjakovë, R. Ç., në cilësinë e komandantit të njësive të Policisë së Posaçme, dhe M.D., në cilësinë e komandantit të Brigadës së 52-të të Artilerisë Raketore, së bashku me të pandehurit e tjerë, përfshirë Radoiçiqin, “si pjesëtarë të njësive të lartcekura akuzohen për pjesëmarrjen në vrasjen e 107 civilëve gjatë një “operacioni të gjerë ushtarako-policior”.

“Gjatë këtij operacioni, sipas aktakuzës, të pandehurit fillimisht kanë ndarë gratë dhe fëmijët nga burrat. Gratë janë plaçkitur, duke iu marrë stolitë e arit, paratë dhe sendet e tjera me vlerë, ndërsa burrat janë ekzekutuar disa në shtëpitë dhe oborret e tyre, disa në lokacionin e njohur si ‘Ura e Taliqit’. Po ashtu, edhe shtëpitë ishin djegur”, u tha në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

Në prill të vitit 2025, Prokuroria Themelore në Gjakovë kishte lëshuar fletarrestim për Radoiçiqin dhe 19 serbë të tjerë nën dyshime për pjesëmarrje në vrasjen e civilëve në Gjakovë, trupat e të cilëve më pas u gjetën në një varrezë masive në Serbi.

Në arsyetimin për fletarrestimin thuhej se më 1998-99, te vendi u quajtur ‘Ura e Taliqit’ në Gjakovë nga data 7 maj e deri më date 10 maj te vitit 1999, pjesëtaret e forcave ushtarake dhe policor serbe të uniformuar, përfshirë edhe të pandehurit, filluan të hynin shtëpi për shtëpi, “ku me forcë dhe kanosje i nxorën nga shtëpitë të gjithë personat që ishin prezentë, duke i ndarë burrat nga gratë dhe fëmijët dhe me pas i vranë gjithsej 106 civilë të nacionalitetit shqiptar dhe pas luftës trupat e tyre u gjetën në një varrezë masive në Batajnicë të Serbisë”.

Po ashtu, në dokumentin për fletarrestimin thuhej se ky grup personash, ku bën pjesë edhe Radoiçiq, nga 7 maji i vitit 1999 deri më 10 maj të po atij viti kishte arrestuar dhe burgosur më shumë se 300 civilë shqiptarë, të cilët u mbajtën në “burgje të improvizuara, ku nuk kishin trajtim human duke iu munduar gjërat elementare, ushqimi i rregullt, higjiena dhe kujdesi mjekësor dhe më pas një pjesë e madhe e këtyre të burgosurve ishin dërguar në burgje të ndryshme të Kosovës”.

Në fund, siç tha Gjykata Themelore e Gjakovës, këta persona u liruan pas qershorit të vitit 1999, me ndihmën e organizatave ndërkombëtare.

Më 2025, Radio Evropa e Lirë intervistoi disa qytetarë në Gjakovë, të cilëve iu vranë të afërmit në kohën e luftës, të cilët thanë se emri i Radoiçiqit që nga viti 1999 ishte përmendur nga familjet gjakovare.

Luljeta Sharani nga Gjakova, të cilës më 10 maj 1999 iu vra burri, dy djemtë dhe dy kunetërit, tha në maj të vitit të kaluar për REL-in se emrat e serbëve që morën pjesë në dëbimin dhe vrasjen e civilëve shqiptarë janë dërguar prej kohësh në Prokurori.

“Është folur jo vetëm emri i [Millan] Radoiçiqit, por i të gjithë të tjerëve që kanë marrë pjesë në vrasje”, u shpreh Sharani.

Ndërkaq, Ngadhnim Bicurri, të cilit iu vra babai, dy xhaxhallarë po më 10 maj 1999, rrëfeu se kishte parë me sytë e tij personat që i çuan në ekzekutim familjarët e tij.

“Emrat nuk ua kam ditur, por i kam mësuar pasi ka ndodhur rasti”, deklaroi ai.

Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit – veçse kërkohet nga Kosova për sulmin e armatosur në Banjskë më 2023. Ai e mori përgjegjësinë për këtë sulm, ku u vra një polic i Kosovës.

Kosova e cilëson këtë sulm si terrorist dhe akuzon Serbinë se ka gisht në të. Por Beogradi mohon çdo përfshirje.

Kërkesa e LDK-së për presidentin: Sa e mundshme është marrëveshja me LVV-në?

Mimoza Sadiku

 

Një marrëveshje politike mes partive për t’i shtyrë përpara proceset për formimin e institucioneve të reja të Kosovës ende nuk duket në horizont. Vëzhguesit politikë thonë se Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës duhet të fokusohen më shumë në programin qeverisës, sesa në ndarjen e posteve. Çfarë peshe ka kërkesa e LDK-së që ta ketë postin e presidentit në arritjen e një marrëveshjeje?

 

Konstituimi i Kuvendit, si hap i parë në procesin e formimit të institucioneve të reja të Kosovës, nuk u përmbyll siç pritej, në paraditen e 6 gushtit.

Seanca konstituive e së enjtes u shty nga kryesuesi i saj, pas betimit të deputetëve të rinj, me kërkesë të kryetarit të partisë më të madhe, Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), për t’i dhënë kohë arritjes së një marrëveshjeje politike me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).

Teksa afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit – që do të hapte rrugën për formimin e qeverisë dhe për zgjedhjen e presidentit të shtetit – skadon të premten në mesnatë, dy partitë ende nuk duken afër një ujdie.

Për më tepër, procesin negociues mund ta ndërlikojë kërkesa e shprehur publikisht e LDK-së që ta ketë postin e presidentit.

Për LVV-në e kryeministrit në detyrë Albin Kurti, presidenti i ri i vendit duhet të jetë një figurë jopartiake dhe konsensuale, ndërkaq për LDK-në kushdo që i ka 80 vota.

Vëzhgues politikë e vlerësojnë si legjitime kërkesën e partisë së Lumir Abdixhikut – e vetmja që ka pranuar të negociojë me LVV-në – që ajo ta ketë presidentin, për të siguruar një balancë në ndarjen e pushteteve.

Por, politologu Dritëro Arifi e sheh si “kërkesë të ngushtë” dhe “jovizionare” ngulmimin e LDK-së vetëm për Presidencën, duke argumentuar se vizioni duhet të fokusohet në politika qeveritare në një qeveri të mundshme mes dy partive.

Sipas tij, posti i presidentit nuk ka kompetenca ekzekutive, dhe nuk do t’i mundësonte LDK-së të ndikonte në politikat qeveritare.

“Vetëm pozita e presidentit… besoj që nëse LVV-ja është pak inteligjente, ajo do ta pranonte, sepse nuk do të thotë asgjë. Pra, as për LVV-në. Shumë pak ka peshë, por për LDK-në fare, hiç”, thotë Arifi për Radion Evropa e Lirë (REL).

Programi qeverisës para ndarjes së posteve

Njohësi i çështjeve politike, Ilir Deda, vlerëson se marrëveshja duhet të ndërtohet mbi programin qeverisës, duke përmendur si çështje kyç qasjen e ekzekutivit ndaj serbëve në veri të Kosovës, përmirësimin e raporteve me aleatët, dhe përfshirjen në projektet e energjisë që mbështeten nga Uashingtoni.

“Në qoftë se nuk ka ndryshim të politikës, dhe qeveri potenciale LVV-LDK, atëherë duhet ta pyesim LDK-në pse ka qëndruar në opozitë tërë këto vite, nëse e pranojnë mbajtjen e kursit aktual politik”, thotë Deda për REL-in.

Arifi vlerëson se LDK-ja duhet të tregojë se po imponon disa politika të saj në negociatat për marrëveshje, në të kundërtën del humbëse. Ai mendon se Kurti është në pozicion më të mirë se LDK-ja “në secilin variant që po analizojnë”.

Por, kërkesa e LDK-së për postin e presidentit ngre pyetjen kyç se sa e mundshme është arritja e një marrëveshjeje mes dy partive.

A e ndërlikon ajo procesin e negociatave, dhe a e rrit mundësinë për zgjedhje të reja, që do të ishin të katërtat në gati dy vjet? Për Dedën, përgjigja është po.

Ish-presidentja e Kosovës, tani deputete e LDK-së, Vjosa Osmani. Deputetët e legjislaturës paraprake s'arritën të zgjedhinin pasardhësin e saj kur i përfundoi mandati pesëvjeçar në prill.

Ish-presidentja e Kosovës, tani deputete e LDK-së, Vjosa Osmani. Deputetët e legjislaturës paraprake s’arritën të zgjedhinin pasardhësin e saj kur i përfundoi mandati pesëvjeçar në prill.

Presidenti i ri: Figurë e pavarur apo partiake?

Sipas Dedës, kompromis rreth çështjes së presidentit mund të arrihet, nëse LDK-ja do të propozonte një figurë të fuqishme politike, por jopartiake, në të cilën ka besim.

Deda thotë se presidenti i ri duhet të jetë një figurë që ndërton konsensus të brendshëm, duke vlerësuar se presidentët partiakë në historinë e re të Kosovës nuk “kanë ditur dhe nuk kanë dashur të ndërtojnë konsensus politik dhe shoqëror”.

Nga LDK-ja nuk kanë treguar nëse duan që presidenti i ri të jetë nga radhët e partisë së tyre, apo një figurë jopartiake.

Sipas Dedës, LDK-së – që në zgjedhjet e fundit e paraqiti ish-presidenten Vjosa Osmani si kandidate për kreun e shtetit – nuk “i takon” që, si fuqi e tretë, të propozojë një anëtar partiak për këtë post në vend të një figure të pavarur, që sipas tij do ta përmbushte edhe kërkesën e LVV-së.

Deda thotë se LVV-ja e ka “betonuar” qëndrimin që presidenti i ri të jetë një figurë konsensuale dhe jopariake, duke e vlerësuar atë si “pozicion të drejtë”. Prandaj, ai nuk beson se LVV-ja do ta pranonte Osmanin si presidente.

Arifi, ndërkaq, konsideron se asnjëra palë nuk ka parime, dhe kujton se Kurti e kishte përkrahur Osmanin për presidente në mandatin e parë, andaj vlerëson se ai, “varësisht nga interesi personal, po i ndryshon qasjet”.

Sipas tij, edhe nëse LDK-ja e merr postin e presidentit, ajo prapë “do të dalë parti humbëse”.

Negociatat LVV-LDK po zhvillohen në kohën e përplasjeve në partinë e Abdixhikut, i cili ditë më parë i mbijetoi një mocioni për rrëzimin e tij nga kreu i LDK-së.

Por, Arifi beson se deputetët e LDK-së do të unifikonin votat, nëse vazhdohet me narracionin e ngushtë për postin e presidentit.

Ndërsa partitë politike po përpiqen të shmangin thellimin e krizës institucionale, qytetarë të anketuar nga REL-i thanë se janë të lodhur nga zgjedhjet e njëpasnjëshme.

Por, pa një marrëveshje për presidentin, Kosova mund të rikthehet përsëri në fushatë zgjedhore – një skenar që nuk e kanë përjashtuar as Kurti, as Abdixhiku.

Gjykatësi cakton shtatorin për deklaratat përmbyllëse për Thaçin në gjyqin për pengim të drejtësisë

Radio Evropa e Lirë

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë njoftuan të enjten se mesi i shtatorit është caktuar për mbajtjen e seancave për shpalosjen e deklaratave përmbyllëse në gjyqin kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit – të cilët akuzohen për pengim të drejtësisë.

Seancat për deklarata përmbyllëse do të mbahen më 10, 11 dhe 14 shtator, njoftoi gjykata.

Ata akuzohen se, mes prillit dhe nëntorit 2023, kishin ndikuar tek dëshmitë e dëshmitarëve të thirrur nga prokurorët për çështjen gjyqësore për krime lufte kundër vetë Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Ndaj Hashim Thaçit janë ngritur tri akuza për tentim për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe tetë akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës.

Ndaj Bashkim Smakajt, Isni Kilajt dhe Fadil Fazliut janë ngritur, për secilin, një akuzë për tentim për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe një akuzë për mosbindje ndaj gjykatës.

Ndaj Hajredin Kuçit janë ngritur dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Të pesë të akuzuarit janë vetëdeklaruar të pafajshëm.

Gjykimi ndaj tyre filloi më 27 shkurt, ndërsa më 13 mars, Prokuroria përfundoi paraqitjen e provave.

Ndërkohë, aktgjykimi ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, do të shpallet më 16 shtator.

Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi, akuzohen për vepra si vrasje, torturim dhe përndjekje, gjoja të kryera gjatë viteve 1998-’99 gjatë luftës për pavarësimin e Kosovës nga Serbia.

Që të katërtit i kanë mohuar këto akuza dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që përfshijnë rreth 155 viktima.

Prokurorët kanë kërkuar që ata të shpallen fajtorë dhe secili të dënohet me nga 45 vjet burgim për krimet e pretenduara.

Mbi 130 dëshmitarë dëshmuan, ndërsa u pranuam me shkrim 160 deklarata të dëshmitarëve të tjerë në këtë gjyq gjatë tri vjetëve seanca.

Gjyqi ndaj tyre përfundoi në shkurt, ndërsa ata janë mbajtur në paraburgim në Hagë qëkurse u arrestuan në vitin 2020.

Gjykata Speciale është formalisht pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës por përbëhet nga gjyqtarë dhe prokurorë ndërkombëtarë.

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka hasur në kundërshtime të shumta në Kosovë, pasi është parë si e njëanshme, duke qenë se në të nuk përfshihen krimet e kryera nga serbët në territorin e Kosovës.

Prej atëherë, nëpër Kosovë janë vendosur pankarte e pllakate të mëdha me mesazhin “Liria ka emër” dhe fotografi të ish-krerëve të UÇK-së.

Gjithashtu ka pasur protesta kundër këtij procesi në Hagë, në Prishtinë dhe në qytete të tjera.

Mijëra qytetarë morën pjesë në protestën “Drejtësi, jo politikë” në Ditën e Pavarësisë së Kosovës më 17 Shkurt këtë vit në Prishtinë, në përkrahje të Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.

Shtyhet seanca konstituive, LVV nuk propozon kandidat për kryeparlamentar- Kurti: Kërkojmë më shumë kohë për bisedime me opozitën

LVV nuk ka propozuar një emër pë kryeparlamentar të Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar kohë për bisedime të mëtejshme me partitë opozitare. Drejtuesi i LVV Albin Kurti deklaroi se ky konstituim s’mund ta çdojë vendin sërish në zgjedhje të parakohshme.

Ai ka falënderuar liderin e PDK-së, Bedri Hamza dhe atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku për takimet e mbajtura.

“Ato bisedime u pezulluan për shkak të zhvillimeve të brendshme në LDK. Rifillimi i bisedimeve u bë vetëm në këtë javë. Ne duam bisedime edhe me PDK-në edhe me AAK-në, ndonëse refuzimi i tyre është i qartë”, tha ai.

Po ashtu uroi 120 deputetët për betimin e mandatit të ri.

“Konstituimi s’duhet të na çojë në zgjedhje të panevojshme të paarsyeshme, kërkojmë kohë shtesë që t’u japim shans bisedimeve politike për marrëveshje për president a presidente të re”, tha Kurti.

Pas kësaj, drejtuesi i seancës Dehari shtyu seancën konstituive. bw

Çfarë thotë Gjykata Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit?

 

Në një vendim të vitit të kaluar, Gjykata Kushtetuese tha se Kushtetuta e vendit i detyron deputetët ta konstituojnë Kuvendin brenda 30 ditëve nga data e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i certifikoi rezultatet më 8 korrik, kjo nënkupton se 30 ditë mbushen të premten, 7 gusht.

Ja çfarë kishte thënë Kushtetuesja për këtë në qershor 2025:

Pika 124

Duke iu rikthyer përcaktimeve të paragrafit 1 të nenit 66 të Kushtetutës përmes të cilave specifikohet se: “Kuvendi i Kosovës zgjidhet më mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive, që mbahet brenda tridhjetë (30) ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve.”

Në versionin në gjuhën angleze të Kushtetutës, dispozita e nenit 66 është formuluar si vijon: “The Assembly of Kosovo shall be elected for a mandate of four (4) years, starting from the day of the constituive sesion, ëhich shall be held ëithin thirty (30) days from the oficial announcment of the election results”. (Gjykata sqaron se ky formulim në gjuhën angleze – “shall be held” – paraqet një normë me karakter detyrues, dhe jo fakultativ, sipas përdorimit të standardizuar të gjuhës normative dhe kushtetuese edhe në të drejtën anglo – saksone, sipas Black’s Laë Dictionary, “shall” is “mandatory”, not “permissive”).

Pika 131.

Më tej, Gjykata duke iu rikthyer përcaktimeve në paragrafin 1 të nenit 66 të Kushtetutës thekson se vetë struktura e kësaj dispozite kushtetuese nënkupton se mbajtja e seancës konstituive brenda afatit tridhjetë (30) ditor, nuk është mundësi formale apo orientuese, por detyrim kushtetues që lidhet ngushtë me fillimin e mandatit të legjislaturës së re.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi tha për Radion Evropa e Lirë se ndonëse Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve, mos realizimi i kësaj “nuk prodhon automatikisht pasoja juridike”.

Kjo do të thotë se jo domosdoshmërisht duhet shkuar në zgjedhje të parakohshme.

Abdixhiku: LDK kërkon postin e presidentit për të garantuar balancën demokratike

KOSOVË- Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, deklaroi se çelësi i një marrëveshjeje me Lëvizjen Vetëvendosje të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, mbetet arritja e një balance demokratike mes palëve.

Pas tri takimeve me Kurtin, në kuadër të përpjekjeve për zgjidhjen e krizës politike dhe formimin e institucioneve të reja, Abdixhiku tha se është shënuar progres në disa çështje, por se ende ekzistojnë dallime të mëdha lidhur me postin e presidentit.

“Ka shumë afrime në shumë çështje, por ende kemi distancë në çështjen kryesore, që është balanca demokratike. Kuvendi duhet të konstituohet sot, nuk ka arsye për të mos u konstituuar”, u shpreh ai.

Lideri i LDK-së theksoi se nuk dëshiron të diskutojë për emra konkretë për postin e presidentit, por këmbënguli se partia e tij duhet të përfaqësohet në këtë funksion për të garantuar balancën institucionale.

“Ne kërkojmë balancë demokratike, e cila kërkon që LDK-ja të jetë e përfaqësuar. Nuk po flasim për emrat individësh, por për balanca demokratike që do të ishte e mirë edhe për Kosovën”, deklaroi Abdixhiku.

Ai shtoi se afati për formimin e Qeverisë është edhe 25 ditë dhe se do të ishte më mirë nëse marrëveshja për të gjitha institucionet do të arrihej sa më shpejt.

“Kemi edhe 25 ditë për formimin e Qeverisë. Nëse merremi vesh më herët për të gjitha institucionet, më mirë. Nëse nuk merremi vesh, duhet të jemi transparent me ju dhe popullin se kaq kemi mundur dhe fatkeqësisht nuk mund të bëjmë më shumë. Përderisa po takohemi, është lajm i mirë”, përfundoi ai./Dosja.al

Deputetët mblidhen për ta bërë Kuvendin e ri të Kosovës

Rendi i ditës

Kryesia e Kuvendit njoftoi se në rend dite për seancën konstituive janë katër pika, ndër to zgjedhja e 5 nënkryetarëve, prej të cilëve 2 që përfaqësojnë komunitetet joshumicë, si dhe zgjedhja e kryetarit të ri.

Rendi i ditës:

1. Formimi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve,
2. Betimi i deputetëve,
3. Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit,
4. Zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.

LDK kërkon postin e presidentit

Radio Evropa e Lirë

Deputetë të zgjedhur të Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë shprehur qëndrimin se kërkesa e partisë së tyre është që të kenë postin e presidentit.

Hykmete Bajrami dhe Jehona Lushaku Sadriu artikuluan këtë kërkesë, një ditë pasi kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe ai i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nuk arritën ndonjë marrëveshje për krijimin e institucioneve të reja.

Lushaku Sadriu tha se LDK gjithmonë ka kërkuar që institucionet e vendit të sigurojnë një balancë mes fuqive politike.

“Pra edhe në këtë kuptim, domethënë kërkesa jonë është që presidenti t’i takojë LDK-së, në kuptimin që të diskutojmë së bashku për gjithë pushtetin edhe pastaj të bëhet ndarja në mënyrë proporcionale. Ky ka qenë qëndrimi”, tha Lushaku-Sadriu për mediat para mbledhjes së Grupit Parlamentar të LDK-së.

Ndërkaq Bajrami tha për mediat se nuk i di detajet e takimit të djeshëm, por iu duk se Abdixhiku po insiston “me të drejtë” po insiston që partia e tij të ketë postin e presidentit.

“Mendoj se pozita e presidentit do të siguronte një balancim të pushteteve në Kosovë dhe do të ishte një siguresë si për Kosovën, ashtu edhe për Lidhjen Demokratike të Kosovës”, tha Bajrami.

Sipas saj, ofrimi i posteve ministrore nga LVV-ja nuk ofron garanci.

Pas takimit të tyre, që zgjati mbi tri orë, Kurti dhe Abdixhiku shprehën qëndrime të ndryshme sa i përket presidentit – moskonsensusi për të cilin muaj më parë mes partive nxiti zgjedhjet e 7 qershorit.

Kurti insistoi se Kosovës i duhet një president konsensual, jopartiak, ndërkaq Abdixhiku tha se president konsensual është kushdo që i merr 80 vota të deputetëve.

Në zgjedhjet e qershorit, LDK-ja garoi me Vjosa Osmanin edhe për një mandat në krye të shtetit.

“President konsensual është secili president që i merr 80 vota. LDK duhet të ndihet e përfaqësuar për t’i pasur votat e veta”, tha Abdixhiku mbrëmjen e 4 gushtit.

Osmani, së bashku me nënkryetarin e LDK-së, Lutfi Haziri, ishin të pranishëm po ashtu në takimin me Kurtin.

Teksa LVV-ja dhe LDK-ja kanë paralajmëruar vazhdimin e bisedimeve, më 6 gusht pritet të mbahet seanca konstituive e legjislaturës së njëmbëdhjetë. Me konstituimin e organit ligjvënës, nis rrjedhja e afateve për formimin e Qeverisë, por edhe të presidentit. Deputetët më pas do të ketë kohë 60 ditë për të zgjedhur një president, në të kundërtën vendi do të shkojë në zgjedhje – të katërtat që nga shkurti i vitit 2025.

LVV-ja ka fituar 58 mandate dhe së bashku me partitë e komuniteteve joshumicë ka votat e mjaftueshme për të konstituuar Kuvendin dhe krijuar Qeverinë e re, pasi për to kërkohen 61 vota në Kuvendin prej 120 deputetësh.

Megjithatë, për zgjedhjen e presidentit nevojitet prania e 80 deputetëve në Kuvendin me 120 vende që votimi për presidentin e Kosovës të jetë i vlefshëm.

Me një marrëveshje të mundshme me LDK-në, e cila i fitoi 18 vende, atëherë do të arriheshin të paktën 81 vota, mjaftueshëm për votimin e presidentit të ri, nëse të paktën 80 prej tyre do të qëndronin në sallë.

Kosova heton edhe një lokacion për varrezë masive, teksa BE-së i kërkohet t’i bëjë presion Serbisë për të zhdukurit

Hetues pranë vendit ku po kryhen gërmime në Kalludër të Vogël të Zubin Potokut. 1 gusht 2026.

Radio Evropa e Lirë

Prokuroria Speciale e Kosovës tha se po kryhen hetime për një lokacion të tretë për varrezë masive, teksa në dy lokacione në Zubin Potok autoritetet kanë konfirmuar gjetjen e mbetjeve mortore, që dyshohet se u përkasin viktimave të luftës së fundit në Kosovë.

Sipas një njoftimi, gjatë hetimeve janë kontrolluar disa lokacione. Në fshatin Jabukë të Zubin Potokut “janë gjetur mbetje”, të cilat, sipas Prokurorisë, do t’i nënshtrohen ekzaminimeve mjeko-ligjore dhe analizave të ADN-së për identifikim, ndërsa gërmimet në fshatin Kalludër e Vogël po vazhdojnë.

“Aktualisht, hetimet po vazhdojnë në një lokacion të tretë”, tha Prokuroria Speciale e Kosovës, e cila shtoi se hetimet për krimeve të luftës në Zubin Potok, po vazhdojnë në mënyrë intensive.

Gërmimet për një varrezë të dyshuar masive në Kalludër të Zubin Potokut nisën në fund të korrikut, ndërkaq disa ditë më parë, nisën gërmime edhe në Jakubë, të po kësaj komune në veri të Kosovës.

Njoftimi i Prokurorisë Speciale vjen në kohën kur kryenegociatori i Kosovës për dialogun teknik, Agron Bajrami, ka kërkuar që Bashkimi Evropian të sigurohet që Serbia të zbatojë plotësisht zotimet e Deklaratës për Personat e Zhdukur.

Përmes një postimi në X, Bajrami tha se ka kërkuar nga BE-ja që Serbia të ofrojë qasje të pakufizuar në arkiva dhe mbrojtje për ata që ofrojnë informacione.

“Si kryenegociator i Kosovës i kam përcjell zyrtarisht të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, shqetësimet tona lidhur me zhvillimet e fundit për personat e zhdukur nga lufta e viteve 1998-99”, shkroi Bajrami.

Ai tha se familjarët e personave të zhdukur kanë pritur “shumë gjatë për të vërtetën”.

Ditë më parë, Prokuroria Speciale konfirmoi se në fshatin Kalludër e Vogël janë gjetur mbetje mortore me origjinë njerëzore. Ndërkaq, më 3 gusht, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se në Jakubë janë zbuluar mbetjet mortore të të paktën katër personave.

Në kuadër të dialogut për normalizim të raporteve, Kosova dhe Serbia më 2 maj të vitit 2023 arritën pajtim për Deklaratën për të Zhdukurit.

Kjo deklaratë parasheh zotimin e të dyja palëve për zbardhjen e fatit të mbi 1.500 personave të zhdukur gjatë luftës më 1998-99. Në të nuk përmendet konkretisht hapja e arkivave ushtarake apo policore, po aty përmendet fjala “dokumente konfidenciale”.

Në fillim të këtij viti, Kosova dhe Serbia mbajtën takimin e parë të Komisionit të Përbashkët për personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë, por takimi përfundoi pa ndonjë rezultat.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, pas nisjes së gërmimeve në Zubin Potok, ka përsëritur thirrjen që Serbia të hapë arkivat shtetërore dhe ushtarake dhe të zbatojë Deklaratën e Brukselit.

“Andaj e përsërisim thirrjen ndaj faktorëve ndërkombëtarë të shtojnë trysninë ndaj Serbisë, që mes tjerash, të ndryshohet vendimi për klasifikim 30-vjeçar deri më 2044 dhe të hapet arkiva e Brigadës së Motorizuar 37 të ushtrisë jugosllave në mënyrë që të kemi informaciuone për zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë”, deklaroi Kurti më 29 korrik.

Sipas kryetares së Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, arkivat ushtarake të Serbisë kanë raporte luftarake, të dhëna për veprimet e njësive dhe regjistra të transferimeve që mund të ndihmojnë në identifikimin e varrezave masive.

Ndërkaq, arkivat e shërbimeve të sigurisë shtetërore, siç tha Biserko për Radion Evropa e Lirë, kanë raporte të inteligjencës për operacionet në Kosovë dhe tregojnë për ndalimet dhe bashkërendimin mes Ministrisë së Brendshme serbe dhe ushtrisë.

Ndërkaq, të rëndësishme vlerësohen edhe arkivat e institucioneve të tjera të Serbisë, veçmas të atyre që ishin përgjegjës për bartjen dhe varrosjen e kufomave, “siç janë kompanitë e shërbimeve komunale dhe organizatave të ngjashme”, deklaroi Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë.

Lidhur me dyshimet për varreza masive, autoritetet në Kosovë kanë arrestuar tre persona. Ndërkaq, në Serbi më 30 korrik u arrestua një person për spiunazh.

Në Kosovë, megjithatë, disa burime thanë për Radion Evropa e Lirë se arrestimi lidhet me dyshimet se R.T – i arrestuar në Serbi – kishte dhënë informacione që çuan te lokacioni ku po zhvillohen gërmimet për mbetje mortore në Zubin Potok.

Ministri në detyrë i Punës, Familjes, Mbrojtjes Sociale dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare i Kosovës, Andin Hoti, e ka vlerësuar arrestimin e personit, për të cilin pretendon se ka ndihmuar në zbulimin e një varreze të dyshuar masive të dyshuar në Kosovë si “tentim-vrasje ndaj së vërtetës”.

Sipas një raporti të publikuar më 29 korrik, Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës tha se bazuar në të dhënat preliminare, janë dokumentar 12.230 viktima të luftës në Kosovë, në periudhën 1 janar 1998 – 20 qershor 1999.

Mbi 1.500 persona, shumica shqiptarë, konsiderohen ende të zhdukur, teksa mbetje mortore të të zhdukurve janë gjetur në disa varreza masive në Serbi.

Kurti fton partitë për takim, PDK dhe Aleanca refuzojnë

Radio Evropa e Lirë

Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca kanë refuzuar ftesën e kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti për takim.

Kurti, njëherësh udhëheqës i Lëvizjes Vetëvendosje, ua dërgoi këto ftesa udhëheqësve partiakë vetëm tri ditë para se të mbahet seanca konstituive e legjislaturës së njëmbëdhjetë të dalë nga zgjedhjet e 7 qershorit.

Në letrën që kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, i ka dërguar Kurtit, thuhet se në takimin e parë në korrik, është bërë i qartë qëndrimi i partisë se do të qëndrojë në opozitë.

“Presim nga ju që në përputhje me përgjegjësitë që burojnë nga zgjedhjet e 7 qershorit, së bashku me partitë e tjera të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës të arrini marrëveshje për krijimin e institucioneve të reja të vendit”, thuhet në letrën e Hamzës, që u publikua nga mediat vendore në Kosovë.

Aleanca e udhëhequr nga Ardian Gjini, po ashtu e refuzoi takimin, sikurse kishte vepruar edhe në korrik.

Në ftesën që i ishte dërguar Aleancës, Kurti kishte propozuar që takimet të mund të mbaheshin të martën ose të mërkurën, pa ndonjë orë të caktuar.

Partia e Gjinit, në letrën që i ka dërguar Kurtit, ka kujtuar se kjo parti veçse ka vendosur gjashtë kushte në këmbim të votës për krijimin e institucioneve, duke shtuar se nuk është e interesuar që të bëhet pjesë e Qeverisë së re të Kosovës.

“Prandaj, Aleanca nuk sheh fare arsye që të takohemi në këtë format”, thuhet në letrën që Gjini i ka kthyer Kurtit më 3 gusht.

Në mesin e kushteve të paraqitura nga Aleanca është pranimi i menjëhershëm i projektit të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të gazit të lëngshëm natyror, nisja e procedurave për ndërtimin e një termocentrali të ri me thëngjill, lehtësime për bizneset e vogla, heqja e tatimit në pronë për sektorin e bujqësisë e disa të tjera.

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës ende nuk kanë konfirmuar nëse kanë pranuar ftesë për takim nga Kurti dhe si do t’i përgjigjeshin asaj.

Më 10 korrik, Kurti ishte takuar ndaras me udhëheqësit e PDK-së dhe LDK-së. Pas takimit, Bedri Hamza i PDK-së kishte thënë se partia e tij do të mbetej në opozitë. Ndërkaq, Lumir Abdixhiku i LDK-së ishte shprehur i gatshëm për takime të reja.

LDK-ja, pas një kuvendi partiak të mbajtur ditë më parë, po ashtu konfirmoi se është e gatshme të ndihmojë në krijimin e institucioneve pas zgjedhjeve të qershorit.

Partia e Abdixhikut kishte pezulluar bisedimet, pasi disa delegatë kishin iniciuar një mocion për shkarkimin e kreut të partisë. Megjithatë, Abdixhiku i mbijetoi këtij mocioni.

Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 58 mandate dhe së bashku me partitë e komuniteteve joshumicë ka votat e mjaftueshme për të konstituuar Kuvendin dhe krijuar Qeverinë e re, pasi për to kërkohen 61 vota në Kuvendin prej 120 deputetësh.

Megjithatë, çështja e presidentit kërkon dy të tretat e votave të Kuvendit. Pikërisht, mosarritja e konsensusit për presidentit nxiti zgjedhjet e qershorit – të tretat që nga shkurti i vitit 2025.

Për zgjedhjen e presidentit nevojitet prania e 80 deputetëve në Kuvendin me 120 vende që votimi për presidentin e Kosovës të jetë i vlefshëm.

Një ditë më parë, Kurti tha se ka vullnet dhe gatishmëri për marrëveshje me LDK-në.

Me një marrëveshje të mundshme me LDK-në, e cila i fitoi 18 vende, atëherë do të arriheshin të paktën 81 vota, mjaftueshëm për votimin e presidentit të ri, nëse të paktën 80 prej tyre do të qëndronin në sallë.

Prandaj çështja e presidentit pritet të jetë në qendër të bisedimeve mes Kurtit e Abdixhikut.

Hashim Thaçit i refuzohet dorëzania prej 50 mijë eurosh, i vazhdohet paraburgimi

Dorëzania prej 50,000 eurosh nuk ka mjaftuar që gjyqtari i vetëm në gjykimin e dytë ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve për tentim pengimi të drejtësisë, ta jap dritën e gjelbër për lirim me kusht të Thaçit nën 14 kushte që ka ofruar mbrojtja e tij në korrik të këtij viti, raporton ekskluzivisht Klan Kosova.

Gosnell ka vendosur që t’ia vazhdojë paraburgimin Thaçit edhe për dy muaj të tjerë, ndonëse e komenton si pozitive garancinë financiare të ofruar nga vëllai dhe dy miq të tij.

“Siguria financiare prej 50,000€ e ofruar nga familja dhe miqtë, subjekt i sekuestrimit në rast të dështimit të pjesëmarrjes në seanca, e minon edhe më një rrezik të tillë (rrezikun e arratisjes)”

Për shkak se Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dështuar të arsyetojë mundësinë reale të arratisjes, Gosnell e rrëzon këtë arsyetim për vazhdimin e paraburgimit, raporton Klan Kosova.

Megjithatë nën arsyetimin se Hashim Thaçi mund të pengojë proceset gjyqësore në zhvillim në Dhomat e Specializuara dhe mund të kryejë krime tjera të ngjashme, paraburgimi do të vazhdojë së paku deri në tetor 2026.

Thaçi është i vetmi i akuzuar në këtë rast që vazhdon të qëndrojë në Qendrën e Paraburgimit në Shevningen. Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj ishin liruar me kusht nën 14 kushte përfshirë dorëzaninë, ndërkaq Hajredin Kuqi ishte lënë të mbrohet i lirë që nga fillimi i procesit. /Klankosova.tv

Kosova arreston edhe një të dyshuar për krime lufte në Zubin Potok

Fshati Kalludër e Vogël i Zubin Potokut në veri të vendit, ku ekipe të forenzikës janë duke kryer gërmime prej ditësh për një varr të dyshuar masiv nga lufta e viteve 1998-’99.

 

Radio Evropa e Lirë

Autoritetet ligjzbatuese të Kosovës e kanë arrestuar të dielën edhe një të dyshuar për krime lufte në Zubin Potok, në veri të vendit, ku ekipe të forenzikës janë duke kryer gërmime prej ditësh për një varr të dyshuar masiv, pas gjetjes së mbetjeve njerëzore që dyshohet se u përkasin njerëzve të zhdukur nga lufta e viteve 1998-’99.

Në një njoftim për media të dielën, Policia e Kosovës tha se pas urdhrit nga prokurorët e ka arrestuar një të dyshuar me inicialet J.R.

“Ai dyshohet se ka kryer veprën penale krime lufte kundër popullsisë civile”, thuhet në njoftim.

Policia nuk dha më shumë hollësi rreth të dyshuarit, por shtoi se ai u kap pas një pune intensive hetimore në kuadër të përkushtimit të vazhdueshëm institucional për hetimin dhe zbardhjen e krimeve të luftës.

Ky është personi i tretë i arrestuar lidhur me rastin e Zubin Potokut, pasi dy burra të tjerë po mbahen tashmë në paraburgim, po ashtu, nën dyshimin për krime lufte.

Gërmimet në fshatin Kalludër e Vogël të Zubin Potokut nisën në fillim të javës, pas një hetimi rreth dyvjeçar dhe arrestimit të dy të dyshuarve të parë.

Policia tha më vonë se ka gjetur dëshmi se njëri nga të arrestuarit në Zubin Potok ishte pjesë aktive e armatës jugosllave.

Autoritetet konfirmuan ditë më parë se mbetjet e gjetura në Kalludër të Vogël janë me origjinë njerëzore.

Ndërkohë, të shtunën, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se gërmimet mund të zgjasin me muaj, për shkak të shpërndarjes së mbetjeve njerëzore dhe terrenit të vështirë.

Duke folur për media gjatë vizitës së tij në vendin e gërmimeve, Kurti tha se Serbia duhet të kushtëzohet nga bashkësia ndërkombëtare për hapjen e arkivave, gjë që do të ndihmonte në zbardhjen e fatit të rreth 1.600 njerëzve ende të zhdukur.

Serbia deri tani nuk ka lejuar qasje të plotë në dokumentet e institucioneve që kanë vepruar gjatë luftës në Kosovë, pavarësisht zotimeve për bashkëpunim dhe shkëmbim të dhënash.

Autoritetet kanë thënë se është herët të flitet për identifikimin e viktimave të mundshme, duke bërë thirrje për ruajtjen e integritetit të hetimeve.

Por, Kurti e përsëriti të shtunën se mbetjet e dyshuara njerëzore në këtë fshat mund t’iu përkasin një grupi prej 23 shqiptarëve të zhdukur në atë pjesë të vendit në vitin 1999.

“Duhet t’i presim analizat e ADN-së, por me shumë gjasa bëhet fjalë për shqiptarët të njohur si grupi i intelektualëve, 23 sosh, të cilët më 19 prill, para 27 vjetëve, u ndaluan, u rrëmbyen dhe u pushkatuan nga forcat armike të Serbisë”, tha Kurti.

Kohët e fundit autoritetet kanë kryer vazhdimisht gërmime në lokacione të ndryshme, ku janë gjetur mbetje mortore që dyshohet se u përkasin personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë ka dokumentuar 12.230 viktima të luftës së viteve 1998-’99.

Sipas tij, 1.577 njerëz, shumica shqiptarë, vazhdojnë të jenë të zhdukur nga ajo luftë.

Më herët gjatë vitit, Kosova ngriti aktakuzë në mungesë kundër 21 të dyshuarve për dëbimin me forcë të mbi 800.000 civilëve shqiptarë nga Kosova gjatë asaj lufte.

Kurti thotë se ka “vullnet e gatishmëri” për marrëveshje me LDK-në para seancës konstituive

Radio Evropa e Lirë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ka “vullnet dhe gatishmëri” mes partisë së tij Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike për arritjen e një marrëveshjeje për formimin e institucioneve të reja të vendit gjatë javës së ardhshme.

LVV-ja dhe LDK-ja pritet t’i rifillojnë bisedimet që ishin pezulluar muajin e kaluar për shkak të një votëbesimi brendapartiak të cilit i mbijetoi këtë javë lideri i partisë opozitare, Lumir Abdixhiku.

I pyetur të shtunën vonë se kur do të rinisin takimet me Abdixhikun teksa po afron seanca konstituive e Kuvendit e 6 gushtit, Kurti tha: “Do të përpiqemi që t’i shfrytëzojmë këto ditë, në mënyrë që të jemi sa më të përgatitur kur fillon seanca për konstituimin e institucioneve të legjislaturës së 11-të”.

“Mirëpo nuk mund ta parashikojmë ende rezultatin, nuk do të mungojnë përpjekjet. Ekziston edhe interesimi, edhe vullneti, edhe gatishmëria, por në javën e ardhshme marrim vesh gjithçka”, tha Kurti për Ekonomia Online, pas një ngjarjeje të partisë së tij në Prishtine për mikpritjen e mërgimtarëve.

Ndërkohë, të shtunën, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, i tha Radios Evropa e Lirë se gjatë një kuvendi partiak të enjten ishte arritur pajtueshmëri që partia të bashkëpunojë me partinë në pushtet për formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 7 qershorit.

LDK-ja tashmë ka caktuar disa parime si parakushte për një marrëveshje të mundshme me LVV-në, përfshirë: marrëveshje për të gjitha institucionet, pra Kuvendin, Qeverinë, Presidencën, ose asnjë; agjenda shtetërore, politika sektoriale, programet qeverisëse, interesi i vendit si dhe ndarja e përgjegjësive.

“Këto tri parime neve na bashkojnë si Grup Parlamentar. Kuvendi [i LDK-së] ka kërkuar që kjo e drejtë të ushtrohet deri në fund. Se si do të përmbyllet kjo kërkesë, tani është çështje e negociatave [me LVV-në]”, tha Haziri për REL-in.

Kurti, partia e të cilit i fitoi zgjedhjet e 7 qershorit, ka nevojë për një marrëveshje me opozitën për t’u siguruar që vendi do të ketë president të ri, dhe kështu t’i japë fund krizës së gjatë politike e institucionale.

Partia e tij i mori 53 mandate dhe, duke e pasur parasysh bashkëpunimin e deritanishëm të Kurtit me partitë e pakicave joserbe – që gëzojnë 10 vende – atëherë ai pritet t’i ketë votat e nevojshme prej të paktën 61 për ta konstituuar Kuvendin dhe formuar Qeverinë e re.

Por, nevojitet prania e 80 deputetëve në Kuvendin me 120 vende që votimi për presidentin e Kosovës të jetë i vlefshëm.

Me një marrëveshje të mundshme me LDK-në, e cila i fitoi 18 vende, atëherë do të arriheshin të paktën 81 vota, mjaftueshëm për votimin e presidentit të ri, nëse të paktën 80 prej tyre do të qëndronin në sallë.

Prandaj çështja e presidentit pritet të jetë në qendër të bisedimeve mes Kurtit e Abdixhikut.

A do të mjaftonte një marrëveshje LVV-LDK?

Njohësit e zhvillimeve politike thonë se zhvillimet e fundit në LDK, por edhe pozicionimi i partive politike në përgjithësi, nuk japin sinjale premtuese dhe të sigurta për formimin e institucioneve të reja.

Sipas tyre, rezultati i ngushtë i votimit për dhe kundër vazhdimit të mandatit të Abdixhikut për kryetar, rikonfirmon se brenda LDK-së ekzistojnë çarje të thella ndërmjet dy taborëve.

Analisti Rrahman Paçarizi, profesor i Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, tha për Radion Evropa e Lirë se deklarata e Hazirit, se LDK-ja do të shkojë drejt një marrëveshjeje me LVV-në në rast se ajo ia respekton parimet e deklaruara, nuk e qartëson situatën.

“Më shumë është në funksion të ndërtimit të rrëfimit se LDK-ja nuk mund dhe nuk duhet të konsiderohet si bllokuese e formimit të institucioneve”, shtoi Paçarizi.

Ai sheh pak gjasa që të gjendet një formulë nga kryetari i LDK-së, por edhe nga tabori i pakënaqur me të brenda kësaj partie, për të krijuar qëndrim të përbashkët të 18 deputetëve ndaj një marrëveshjeje të mundshme me LVV-në.

Analisti Artan Muhaxhiri gjithashtu tha se, pavarësisht rikonfirmimit të mandatit të Abdixhikut në krye të partisë, përplasjet brenda LDK-së tregojnë se çfarëdo marrëveshje me LVV-në nuk do të marrë mbështetjen e të gjithë 18 deputetëve të kësaj partie në Kuvend.

“Minimumi i ka gjashtë ose shtatë deputetë më pak se sa numri i përgjithshëm i deputetëve. Kështu që Abdixhiku e ka vetëm një detyrë, ta ndryshojë për 180 shkallë qasjen ndaj deputetëve të pakënaqur dhe personaliteteve shumë të rëndësishme të LDK-së, të cilët e kundërshtojnë mënyrën e lidershipit të tij”, theksoi Muhaxhiri.

Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda 60 ditëve nga dita e konstituimit të Kuvendit, atëherë organi ligjvënës shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja.

Në rast se vendi shkon në zgjedhje sërish, atëherë ato do të ishin zgjedhjet e katërta parlamentare që nga fillimi i vitit 2025.

Kurti në Zubin Potok: Gërmimet mund të zgjasin me muaj, Serbia t’i hapë arkivat për të zhdukurit

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, viziton vendin e gërmimeve në fshatin Kalludër e Vogël në veri të Kosovës, u janë gjetur mbetje njerëzore që dyshohet se u përkasin njerëzve të zhdukur nga lufta e viteve 1998-’99.

 

Radio Evropa e Lirë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të shtunën se gërmimet në një vend ku janë gjetur mbetje njerëzore që dyshohet se u përkasin njerëzve të zhdukur nga lufta e viteve 1998-’99, mund të zgjasin me muaj, për shkak të shpërndarjes së tyre dhe terrenit të vështirë.

Duke folur për media gjatë vizitës së tij në vendin e gërmimeve në fshatin Kalludër e Vogël në veri të vendit, Kurti tha se Serbia duhet të kushtëzohet nga bashkësia ndërkombëtare për hapjen e arkivave, gjë që do të ndihmonte në zbardhjen e fatit të rreth 1.600 njerëzve ende të zhdukur.

Gërmimet në fshatin e Zubin Potokut nisën në fillim të javës, pas një hetimi rreth dyvjeçar dhe arrestimit të dy të dyshuarve nga autoritetet kosovare.

Policia tha më vonë se ka gjetur dëshmi se njëri nga të arrestuarit në Zubin Potok ishte pjesë aktive e armatës jugosllave.

Autoritetet konfirmuan ditë më parë se mbetjet e gjetura në Kalludër të Vogël janë me origjinë njerëzore.

“Tash do të vazhdojnë këto gërmime edhe shumë javë, ndoshta edhe shumë muaj, meqenëse eshtrat e gjetura janë të shpërndara dhe janë buzë një përroi, i cili me shumë gjasa në stinën e pranverës është një përrua i fuqishëm dhe në këtë mënyrë trupat, edhe nëse janë varrosur në të njëjtin vend, mund të mos jenë aty”, tha Kurti të shtunën teksa vëzhgoi gërmimet.

Kurti e akuzoi Serbinë se, përveç se nuk dëshiron të bashkëpunojë, po ndalon njerëz që po japin të dhëna për vendndodhjen e mundshme të varreve masive.

“Të gjithë jemi dëshmitarë që Serbia po arreston serbë të cilët para më shumë se dy dekadash na i paskan treguar UNMIK-ut e organizatave ndërkombëtare për krimet e Serbisë, dhe këtë po e bën nën akuzën për spiunazh”, tha Kurti.

Ai tha se, Serbia në vend se t’i hapë arkivat e forcave policore, ushtarake dhe paraushtarake që kanë kryer krime të luftës në Kosovë, “ajo të gjithë ata të cilët japin çfarëdo informacioni i akuzon, i arreston dhe mund të thuhet tashmë i ndëshkon për spiunazh”.

Megjithëse çështja e të zhdukurve me dhunë shihet kryesisht si çështje humanitare, Serbia deri tani nuk ka lejuar qasje të plotë në dokumentet e institucioneve që kanë vepruar gjatë luftës në Kosovë, pavarësisht zotimeve për bashkëpunim dhe shkëmbim të dhënash.

Kurti po i referohej arrestimit të një 46-vjeçari me inicialet R.T., në Kralevë, në Serbinë qendrore.

Agjencia serbe Tanjug, tha se ai u arrestua nën dyshimin për spiunazh dhe shfaqi pamje nga ndalimi e tij.

Ministria serbe e Punëve të Brendshme (MPB), Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit dhe Prokuroria e Lartë në Kralevë nuk i janë përgjigjur kërkesës së Radios Evropa e Lirë lidhur me arrestimin e R.T., dhe as nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht informacionin.

Sipas raportimeve të mediave, R.T. dyshohet se për një kohë të gjatë ka bashkëpunuar me shërbimin informativ në Kosovë.

Po ashtu thuhet se i arrestuari kishte mbledhur dhe dorëzuar të dhëna mbi veprimtarinë e pjesëtarëve të dikurshëm dhe të tanishëm të Ushtrisë së Serbisë, MPB-së të Serbisë dhe strukturave të tjera të sigurisë së shtetit serb.

Por, ministri në detyrë i Punës, Familjes, Mbrojtjes Sociale dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare i Kosovës, Andin Hoti, pretendoi se R.T – nga Istogu – u arrestua në Serbi pasi ndihmoi në zbulimin e një varreze masive në Kosovë.

Fondi për të Drejtën Humanitare i Kosovës dhe Fondi për të Drejtën Humanitare i Serbisë kanë bërë të ditur se verifikimi i informacionit për varrin masiv në Zubin Potok ka zgjatur më shumë se dy dekada.

Në njoftimet e tyre thuhet se informacioni për një varr të mundshëm masiv në Kalludër të Vogël ishte bërë publik më 7 janar 2013, kur e përditshmja Zëri publikoi deklaratën e R.T.-së për vrasjen e 23 civilëve shqiptarë dhe varrosjen e trupave të tyre në luginën e fshatit Kalludër e Vogël.

Thuhet se R.T. u kishte dhënë deklaratë hetuesve të UNMIK-ut dhe Policisë së Kosovës më 7 shkurt 2003.

Ndërkohë, Kurti e përsëriti se mbetjet e dyshuara njerëzore në fshatin e Zubin Potokut mund t’iu përkasin një grupi prej 23 shqiptarëve të zhdukur në atë pjesë të vendit në vitin 1999.

“Duhet t’i presim analizat e ADN-së, por me shumë gjasa bëhet fjalë për shqiptarët të njohur si grupi i intelektualëve, 23 sosh, të cilët më 19 prill, para 27 vjetëve, u ndaluan, u rrëmbyen dhe u pushkatuan nga forcat armike të Serbisë”, tha Kurti.

Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë ka dokumentuar 12.230 viktima të luftës së viteve 1998-’99.

Mbi 1.500 njerëz, shumica shqiptarë, vazhdojnë të jenë të zhdukur nga ajo luftë.

Më herët gjatë vitit, Kosova ngriti aktakuzë në mungesë kundër 21 të dyshuarve për dëbimin me forcë të mbi 800.000 civilëve shqiptarë nga Kosova gjatë asaj lufte.

Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se do të bashkëpunojë me fituesen e zgjedhjeve të 7 qershorit

Takimi i 10 korrikut mes kreut të LVV-së, Albin Kurti, dhe kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe ish-presidentes së Kosovës Vjosa Osmani.

Bekim Bislimi

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) thotë se do të bashkëpunojë me fituesen e zgjedhjeve të 7 qershorit, Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), për një marrëveshje që do të çonte drejt formimit të institucioneve të reja. Por, vëzhguesit mbeten skeptikë se një marrëveshje e tillë do të ofronte zgjidhje, duke përmendur përçarjet brenda partisë që udhëhiqet nga Lumir Abdixhiku.

Nënkryetari i LDK-së, Lufti Haziri, thotë për Radion Evropa e Lirë se gjatë kuvendit partiak të mbajtur më 30 korrik, është arritur pajtimi që ky subjekt të bashkëpunojë me partinë e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për formimin e institucioneve.

“Në parim ne jemi pajtuar. Është konfirmuar edhe nga kuvendi që LDK-ja do të marrë pjesë në procesin e bashkëpunimit për ndërtimin e institucioneve, duke dhënë kontribut në përballimin dhe largimin e një mundësie për zgjedhje tjera në Kosovë”, thekson Haziri për Radion Evropa e Lirë.

Bisedimet e LDK-së me LVV-në për një marrëveshje të mundshme u pezulluan më 15 korrik, për shkak të kërkesës së një pjese të zyrtarëve të LDK-së për shkarkimin e kryetarit Lumir Abdixhiku, pas pakënaqësive për rezultatin zgjedhor.

Abdixhiku i mbijetoi mocionit për shkarkim, por dallimet dhe mospajtimet brenda LDK-së, të cilat janë shpërfaqur përmes votimit për dhe kundër tij, mbeten të qarta, vlerësojnë zyrtarë të lartë të LDK-së, por edhe njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë.

Krijimi i unitetit në LDK rreth një vendimi të përbashkët të 18 deputetëve të saj lidhur me një marrëveshje eventuale me LVV-në, mbetet sfidë. Në mesin e tyre ka edhe persona që votuan për largimin e Abdixhikut nga kreu i partisë.

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, pas takimit me përfaqësuesit e partive politike parlamentare, të premten, në një konferencë për media e cilësoi lajm të mirë paralajmërimin e Abdixhikut për heqjen e pezullimit për bisedimet për krijimin e institucioneve.

Ajo tha se është shumë e rëndësishme që këto takime të vazhdojnë në mënyrë që të përmbyllet konstituimi i institucioneve të dala nga zgjedhjet e 7 qershorit.

“Pra, ato [takimet] të thirren dhe të mbahen dhe të ketë përpjekje maksimale, seriozitet, që të arrihet një marrëveshje, me të cilën arrijmë, pra të kemi një konsensus për zgjedhjen e presidentit apo presidentes së vendit. Pra është shumë e rëndësishme që këto takime të vazhdojnë sa më parë”, tha Haxhiu.

Por, një marrëveshje e mundshme ndërmjet LVV-së dhe LDK-së, ende nuk duket në horizont, ndonëse kanë mbetur më pak se një javë deri në seancën konstituive të Kosovës, të caktuar më 6 gusht.

Me konstituimin e Kuvendit, nis rrjedhja e afateve për formimin e Qeverisë së re të Kosovës, por edhe zgjedhjen e presidentit. Për këtë të fundit, deputetët e legjislaturës së re do të kenë kohë 60 ditë nga data e konstituimit të Kuvendit që ta votojnë kreun e ri të shtetit.

Haziri: Për 24 orë, LDK-ja i mbyllë të gjitha çështjet parimore

Kuvendi i LDK-së, ku delegatët i dhanë besimin Abdixhikut që të vazhdojë në krye të partisë, shpërfaqi qartë dallimet përbrenda kësaj partie.

Për vazhdimin e mandatit të kryetarit Lumir Abdixhiku votuan 170 delegatë, 152 ishin kundër dhe 5 abstenuan.

Haziri thekson se me gjithë dallimet e dukshme përbrenda LDK-së, ajo tash gjendet përballë ofertës nga partia e parë fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, për bashkëpunim.

Parimet, të cilat LDK i ka shprehur si parakushte për një marrëveshje tëmundshme me LVV-në janë: marrëveshje për të gjitha (institucionet; Kuvend, Qeveri, Presidencë) ose asnjë; agjenda shtetërore, politika sektoriale, programet qeverisëse, interesi i vendit si dhe ndarja e përgjegjësive.

“Këto tri parime neve na bashkojnë si Grup Parlamentar. Kuvendi [i LDK-së] ka kërkuar që kjo e drejtë të ushtrohet deri në fund. Se si do të përmbyllet kjo kërkesë, tani është çështje e negociatave [me LVV-në]”, thekson Haziri.

Ai shton se që nga bisedimet e para formale, të zhvilluara mes Kurtit, Abdixhikut dhe ish-presidentes Vjosa Osmani më 10 korrik, LVV-ja është njoftuar për parimet mbi të cilat LDK-ja e sheh një marrëveshje të mundshme.

Sipas tij, tani i takon LVV-së, që në bisedimet e ardhshme, të tregojë nëse i respekton dhe pajtohet me këto parime.

Haziri thotë se në rast se arrihet pajtimi, uniteti i Grupit parlamentar të LDK-së mund të sigurohet përmes bashkëpunimit të brendshëm.

“Këto nuk janë çështje të thjeshta, por nëse ka vullnet politik dhe ka gatishmëri [nga LVV-ja], atëherë LDK-ja i përmbyll për 24 orë të gjitha çështjet parimore. Neve [në LDK] nuk na ndan asgjë, ndërkaq ndarja e përgjegjësive është krejt e fundit”, thekson Haziri.

Ai shprehu besimin në pjekurinë politike të Grupit Parlamentar të LDK-së, për një unitet rreth vendimeve të kreut të partisë.

Mundësitë për një marrëveshje dhe skepticizmi për numrat

Njohësit e zhvillimeve politike thonë se zhvillimet e fundit në LDK, por edhe pozicionimi i partive politike në përgjithësi, nuk japin sinjale premtuese dhe të sigurta për formimin e institucioneve të reja.

Sipas tyre, rezultati i ngushtë i votimit për dhe kundër vazhdimit të mandatit të Abdixhikut për kryetar, rikonfirmon se brenda LDK-së ekzistojnë çarje të thella ndërmjet dy taborëve.

Çarjet e tilla, vlerësojnë ata, e vështirësojnë ose e pamundësojnë fare funksionimin normal të kësaj partie dhe secilën strategji që mund ta planifikojë Abdixhiku për negociatat me Lëvizjen Vetëvendosje, për një marrëveshje të mundshme për formimin e institucioneve të reja të vendit.

Analisti Rrahman Paçarizi, profesor i Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë se deklarata e Hazirit, se LDK-ja do të shkojë drejt një marrëveshjeje me LVV-në në rast se ajo ia respekton parimet e deklaruara, nuk e qartëson situatën.

“Më shumë është në funksion të ndërtimit të rrëfimit se LDK-ja nuk mund dhe nuk duhet të konsiderohet si bllokuese e formimit të institucioneve”, thotë Paçarizi.

Ai shton se ky veprim i LDK-së del si i kushtëzuar, për shkak se partitë politike në vend, përfshirë edhe LVV-në, ende ushqejnë ndërtimin e rrëfimeve për fajtorët e mosformimit të institucioneve.

Paçarizi shpreh mendimin se as LDK-ja dhe as partitë tjera, nuk do të deklarohen kundër ndërtimit të institucioneve.

Por, ai sheh pak gjasa që të gjendet një formulë nga kryetari i LDK-së, por edhe nga tabori i pakënaqur me të brenda kësaj partie, për të krijuar qëndrim të përbashkët të 18 deputetëve ndaj një marrëveshjeje eventuale me LVV-në.

Paçarizi thekson se mundësitë për një marrëveshje ende nuk janë të shteruara tërësisht, por marrëveshja do të varet edhe nga vullneti dhe serioziteti i liderit të LVV-së, Albin Kurti, me të cilat do t’i qaset ndërtimit të institucioneve.

Megjithatë, Paçarizi shprehet skeptik lidhur me formimin e institucioneve edhe në rast se arrihet një marrëveshje ndërmjet LVV-së dhe LDK-së.

Nyja e gjithë problemit për ndërtimin e institucioneve, sipas tij, mbetet zgjedhja e presidentit të vendit.

Në dy rundet e para të votimit për zgjedhjen e presidentit, kërkohen votat e 80 deputetëve. Në rast se zgjedhja e presidentit dështon në dy runde, atëherë, në rundin e tretë të votimit, kandidati që merr 61 vota në Kuvendin me 120 vende, zgjidhet president.

Paçarizi thekson se duhet pasur parasysh faktin se LVV-ja ka 53 deputetë, të cilëve në votim mund t’u bashkëngjiten edhe nëntë ose dhjetë deputetë nga komunitetet joshumicë.

“Kur i shtojmë kësaj edhe 18 deputetë të LDK-së, atëherë mund të bëhet një numër prej 80 deputetësh. Por, është tepër e vështirë të sigurohen të 18 votat e LDK-së për një zgjidhje, e cila nuk do të ishte maksimale për këtë parti. Mendoj që as zgjidhjet më optimale nuk mendoj se do të kryejnë punë këtu”, thekson Paçarizi.

Analisti Artan Muhaxhiri gjithashtu thotë se pavarësisht rikonfirmimit të mandatit të Abdixhikut në krye të partisë, përplasjet brenda LDK-së tregojnë se çfarëdo marrëveshje me LVV-në nuk do të marrë mbështetjen e të gjithë 18 deputetëve të kësaj partie në Kuvend.

“Minimumi i ka gjashtë ose shtatë deputetë më pak se sa numri i përgjithshëm i deputetëve. Kështu që Abdixhiku e ka vetëm një detyrë, ta ndryshojë për 180 shkallë qasjen ndaj deputetëve të pakënaqur dhe personaliteteve shumë të rëndësishme të LDK-së, të cilët e kundërshtojnë mënyrën e lidershipit të tij”, thekson Muhaxhiri.

Ai shton se megjithatë, nuk pret që qasja e Abdixhikut të ndryshojë dhe ai të jetë më fleksibil ndaj kundërshtarëve të tij brenda partisë.

“Prandaj, marrë parasysh edhe një numër faktesh tjera, duket që opsioni i vetëm do të jenë zgjedhjet e reja. Me këtë klimë politike është krejtësisht e pamundur të arrihet numri i 80 deputetëve, që është çelësi i zgjidhjes së problemeve dhe parandalimit të një procesi të ri zgjedhor”, përfundon Muhaxhiri.

Në rast se partitë nuk arrijnë ujdi për çështjen e presidentit, atëherë vendi do të shkonte sërish në zgjedhje. Ato do të ishin votimet e dyta që do të mbaheshin për shkak të moskonsensusit për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit dhe të katërtat që nga shkurti i vitit 2025.

LVV e LDK të gatshme për rifillimin e bisedimeve për formimin e institucioneve të reja të Kosovës

Shtatorja e Ibrahim Rugovës, presidentit të parë të Kosovës, që gjendet përballë institucioneve qendrore të Kosovës: Qeverisë, Kuvendit dhe Presidencës.

 

Radio Evropa e Lirë

Partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe ajo opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), janë të gatshme për t’i rifilluar pa vonesa bisedimet për një marrëveshje për themelimin e institucioneve të reja të Kosovës, pas zgjedhjeve të qershorit, thanë zyrtarë nga të dyja partitë të premten.

Bisedimet ishin pezulluar javë më parë nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili përballej me shkarkim të mundshëm nga partia, por arriti t’i mbijetojë votëbesimit të enjten për herë të dytë këtë vit.

Tani që ai vazhdon ta drejtojë partinë, të dyja palët thonë se bisedimet mund të rifillojnë pa humbur kohë për një marrëveshje, pasi seanca për konstituimin e Kuvendit të ri do të mbahet më 6 gusht.

Partia e kryeministrit në detyrë i rifitoi zgjedhjet, por ajo ka nevojë për një partner koalicioni për ta zgjedhur edhe presidentin e ri të vendit, që është vendimtar në shmangien e atyre që do të ishin zgjedhjet e katërta parlamentare brenda dy vjetësh.

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, mbajti takim me përfaqësuesit e të gjitha partive parlamentare për përgatitjen e agjendës së seancës së javës së ardhshme.

Haxhiu tha se palët u pajtuan për agjendën për konstituimin e Kuvendit, i cili i hap rrugë formimin të Qeverisë së re dhe zgjedhjes së presidentit të ri, mes frikës së vendi mund të shkojë sërish në zgjedhje të parakohshme.

“Së pari, është lajm i mirë që tashmë, pati mbledhje të LDK-së dje. Pra lajm i mirë në kuptimin që tashmë mund të vazhdojnë takimet”, tha Haxhiu, e cila vjen nga partia në pushte.

Ajo shtoi se, edhe nuk është në mandatin e saj si ushtruese e detyrës së presidentit të flasë për atë çështje, “por është shumë e rëndësishme që takimet të vazhdojnë”.

Deputetja e LVV-së, Arbërie Nagavci, tha se partia e saj pret nga LDK-ja rifillimin e bisedimeve dhe arritjen e një marrëveshjeje, “sepse vendi ka nevojë që sa më parë të vazhdojë punën në të gjitha institucionet me mandatet e përcaktuara”.

Ndërkohë, në natën që i shpëtoi shkarkimit, lideri i LDK-së Abdixhiku tha se pezullimi i bisedimeve me LVV është hequr tashmë.

“Nga nesër e tutje do të përpiqemi të vazhdojmë diskutimet aty ku kanë mbetur. Nga sot e heq atë pezullimin dhe LDK është e hapur të diskutojmë tutje për institucionet”, tha Abdixhiku.

Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, duke folur të premten pas takimit për seancën konstituive, shprehu gatishmërinë e partisë për vazhdimin e bisedimeve , por shtoi se për momentin nuk kanë ndonjë ftesë për takim nga lideri i LVV-së.

“Në fakt nuk ka ndonjë ftesë tani meqë janë të lidhura proceset për çka ne i kishim ndërprerë dialogun tonë me vendimmarrësit sa i përket këtij institucioni. Sapo të kemi një takim, do të kemi dialog edhe marrëveshje eventuale nëse do të ketë hapësirë për marrëveshje të tillë”, tha ajo.

Kurti dhe Abdixhiku kanë mbajtur vetëm një takim para se ky i fundit të detyrohej t’i pezullonte bisedimet.

Pas atij takimi në fillim të këtij muaji, të dy liderët kishin thënë se kishin shpresa për një marrëveshje dhe vullnet për vazhdimin e bisedimeve deri në arritjen e saj.

Ndërkohë, Nagavci i mohoi të premten raportimet se ata ishin arritur marrëveshje në parim.

“S’ka marrëveshje në parim. Ka pasur një takim të parë ka qenë në mënyrë konstruktive e shpresëdhënëse. S’ka pasur pajtueshmëri për pozita të caktuara”, tha ajo.

Formimi i institucioneve

Kurti, partia e të cilit fitoi zgjedhjet e 7 qershorit, ka nevojë për një marrëveshje me opozitën për t’u siguruar që vendi do të ketë president të ri, dhe kështu t’i japë fund krizës së gjatë politike e institucionale.

Partia e tij i mori 53 mandate, dhe duke e pasur parasysh bashkëpunimin e deritanishëm të Kurtit me partitë e pakicave joserbe – që gëzojnë 10 vende – atëherë ai pritet t’i ketë votat e nevojshme prej të paktën 61 për ta konstituuar Kuvendin dhe formuar Qeverinë e re.

Por, nevojitet prania e 80 deputetëve në Kuvendin me 120 vende që votimi për presidentin e Kosovës të jetë i vlefshëm.

Me një marrëveshje të mundshme me LDK-në, e cila i fitoi 18 vende, atëherë do të arriheshin të paktën 81 vota, mjaftueshëm për votimin e presidentit të ri, nëse të paktën 80 prej tyre do të qëndronin në sallë.

Prandaj çështja e presidentit pritet të jeë në qendër të bisedimeve mes Kurtit e Abdixhikut.

Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda 60 ditëve nga dita e konstituimit të Kuvendit, atëherë organi ligjvënës shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja.

Nëse vendi shkon në zgjedhje sërish, atëherë ato do të ishin zgjedhjet e katërta parlamentare që nga fillimi i vitit 2025.

I mbijetuari i Masakrës së Reçakut: Pa autorët, s’ka drejtësi

Buqeta lulesh të vendosura pranë memorialit kushtuar të vrarëve në masakrën në Reçak të Shtimes.

 

Bekim Bislimi

Ramë Shabani, 60-vjeçar nga fshati Reçak i Komunës së Shtimes, e ka kuptuar nga mediat se në Kosovë se do të niste një proces gjyqësor ndaj 21 të akuzuarve për krime lufte për masakrën e kryer në fshatin e tij.

Ai është një nga të mbijetuarit e Masakrës së Reçakut, ku forcat serbe në janar të vitit 1999, vranë 45 civilë shqiptarë.

“Nuk më ka informuar askush nga institucionet [për procesin gjyqësor] dhe nuk kam marrë ftesë për të qenë dëshmitar”, thotë Shabani për Radion Evropa e Lirë.

Gjykimi në mungesë ndaj 21 të akuzuarve për këtë rast nisi të premten, më 31 korrik. Shabani dyshon se ky lloj gjykimi do të sjellë drejtësi.

“Arrita të ik, të tjerët i vranë”

Në mëngjesin e 15 janarit të vitit 1999, Ramë Shabanin, atëherë 33-vjeçar, e zgjuan nga gjumi krismat e armëve.

Ramë Shabani në Reçak, gjatë një rrëfimi të mëhershëm për REL-in.

Ramë Shabani në Reçak, gjatë një rrëfimi të mëhershëm për REL-in.

Siç rrëfen ai, krismat ishin bërë të zakonshme në atë kohë lufte, por, rreth orës 7 të mëngjesit, e gjithë familja e tij e kuptoi se në fshat po ndodhte diçka e pazakontë.

Forca të mëdha policore serbe kishin goditur fshatin dhe po depërtonin përbrenda lagjeve.

Ai dhe familjarët e tij u strehuan në bodrumin e shtëpisë së një fqinji, për të shmangur të shtënave që vinin nga armët e forcave serbe.

Megjithatë, siç rrëfen Shabani, shtëpia u qëllua me armë dhe më pas aty depërtuan edhe forcat serbe.

“Na e kanë granatuar shtëpinë, na kanë nxjerrë jashtë, na kanë rrahur dhe na kanë marrë krejt çka kishim në xhepa. Pastaj na kanë çuar te vendi i masakrës”, tregon Shabani.

Ai rrëfen se, pasi kishin arritur në vendin e quajtur Kodra e Bebushit, në periferi të fshatit Reçak, filloi ploja ndaj civilëve shqiptarë nga ana e forcave serbe.

“Na shanë serbisht… dhe unë kam ikur në një teposhte. Shtatë apo tetë të tjerë që ishin pas meje janë vrarë”, rrëfen Shabani.

Pas tërheqjes së forcave serbe, Shabani u kthye sërish në vendngjarje. Aty kuptoi se vëllai i tij, Bajrush Shabani, ishte vrarë së bashku me 11 kushërinj dhe me më shumë se 30 bashkëfshatarë të tjerë.

Fotografia e Bajrush Shabanit e vendosur në memorialin kushtuar viktimave të masakrës në Reçak.

Fotografia e Bajrush Shabanit e vendosur në memorialin kushtuar viktimave të masakrës në Reçak.

A do të sjellë gjykimi drejtësi?

Masakra e Reçakut, 27 vjet më parë, shkaktoi reagim të fortë ndërkombëtar dhe rriti presionin ndaj regjimit në Serbi, gjë që çoi në negociata ndërmjet përfaqësuesve të shqiptarëve të Kosovës dhe autoriteteve të Serbisë, me ndërmjetësim ndërkombëtar, në Konferencën e Rambujesë në Francë.

Mosarritja e një marrëveshjeje u pasua nga ndërhyrja e NATO-s përmes sulmeve ajrore ndaj caqeve ushtarake dhe policore të ish-Jugosllavisë për 78 ditë. Më pas, forcat ndërkombëtare hynë në Kosovë dhe nga vendi u larguan forcat dhe administrata serbe.

Por, 27 vjet pas ngjarjeve në Reçak, Shabani shprehet skeptik lidhur me nisjen e gjykimit në mungesë të premten ndaj 21 të akuzuarve.

Sipas tij, edhe në rast se vërtetohet fajësia e të akuzuarve dhe ata dënohen, drejtësia do të mungojë.

“Unë jam që të ketë verdikt të drejtë. Por, kjo nuk mund të sjellë drejtësi. Ata 21 persona, të cilëve u janë përmendur emrat, nuk hyjnë më në Kosovë dhe ne [autoritetet e Kosovës] nuk do të mund t’i kapim kurrë… Pa qenë ata në bankën e të akuzuarve, nuk mund të bësh asgjë”, thotë ai dhe shton:

“Megjithatë, është si një lloj flladi… Për mua, është vetëm një lloj njohjeje nga institucionet tona, me atë që ka ndodhur në Reçak dhe se ato duan të bëjnë diçka, por jo më shumë”.

Ngjarjet e Reçakut nën llupën e institucioneve të drejtësisë

Në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë, me propozimin për gjykim në mungesë ndaj 21 personave, për vrasjen e 42 civilëve, gjatë një operacioni të forcave policore serbe në Reçak, më 15 janar 1999.

Ndaj O.S.,R.M., K.J., G.R., ZH.T., B.J., M.L., R.M., D.GJ., B.M., D.J., M.SH., D.A., S.V. , B.M., Z.S., M.J., G.P., D.N., Ç.A. dhe Z.J., u ngrit aktakuzë për veprën penale “krim i luftës kundër popullatës civile”. Asnjëri prej tyre nuk është i qasshëm për institucionet e drejtësisë në Kosovë.

Gjykimi në mungesë ndaj këtyre të akuzuarve nuk arriti të nisë më 20 korrik në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në mungesë të kushteve ligjore.

Për katër prej të akuzuarve nuk dihej se cilët ishin avokatët mbrojtës, të cilët duhet të caktohen sipas detyrës zyrtare nga Oda e Avokatëve e Kosovës.

Në procesin gjyqësor, që nisi të premten, Prokuroria Speciale do të shpaloste aktakuzën e cila i ngarkon ata se si pjesëtarë të ushtrisë së ish-Jugosllavisë, Brigadës së 243-të të Mekanizuar të Armatës së III-të, e njohur si “Korpusi i Prishtinës”, dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, gjatë viteve 1998-1999 kanë kryer trajtim çnjerëzor, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik ndaj popullsisë civile.

Sipas aktakuzës, ata e kishin rrethuar fshatin Reçak nga drejtimet e njohura si “Pishat”, “Gështenjat” dhe “Çesta”, e më pas e kishin granatuar.

Më pas, kishin kontrolluar shtëpitë një nga një, kishin ndarë burrat nga gratë dhe fëmijët, duke i detyruar këta të fundit të largoheshin nga fshati, ndërsa burrat e ndaluar i kishin ekzekutuar.

Por, ky proces gjyqësor nuk është zhvillimi i vetëm lidhur me Masakrën e Reçakut.

Më 12 qershor, gjatë një operacioni të përbashkët të Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës, në kuadër të hetimeve për krime lufte në rastin e njohur si “Reçaku II”, u arrestuan pesë persona.

Prokuroria bëri të ditur se të arrestuarit janë të nacionalitetit serb. Ndërkaq, policia nuk arriti ta arrestonte personin e gjashtë, i cili nuk është gjetur në vendbanimin e tij.

Të arrestuarit dyshohen se kanë qenë pjesë e njësive speciale të policisë serbe që morën pjesë në operacionin e janarit në Reçak.

Por, sipas Shabanit, çfarëdo përfundimesh që do të kenë proceset që ndërlidhen me ngjarjet në Reçak, një gjë mbetet peng i rrethanave:

“Gati shumica e prindërve [të viktimave] kanë vdekur. Ata nuk kanë parë drejtësi. Kanë vdekur me sytë hapur”, përfundon ai.

Në Prishtinë nis gjykimi në mungesë kundër 21 të akuzuarve për Masakrën e Reçakut

Pamje nga seanca fillestare në gjyqin në mungesë kundër 21 të akuzuarve për Masakrën e Reçakut në Kosovë, në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Prishtinë, 31 korrik 2026.

 

Radio Evropa e Lirë

Një gjykim në mungesë ka nisur të premten në gjykatën e Prishtinës kundër 21 personave të akuzuar për Masakrën në Reçak – një ngjarje që ndihmoi në nxitjen e ndërhyrjes ndërkombëtare për t’i dhënë fund luftës së viteve 1998-’99 në Kosovë.

Në fjalët hyrëse, prokurori Ilir Morina tha se gjykimi duhet të zhvillohet pasi janë plotësuar “të gjitha kushtet”, gjë që u pranua nga gjyqtarja Violeta Namani-Hajra.

Gjyqtarja theksoi se janë ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore për njoftimin e të akuzuarve, pasi, sipas saj, të dhënat tregojnë se ata ndodhen në Serbi.

Të pandehurit – Obrad Stevanoviq, Radomir Markoviq, Krsman Jeliq, Goran Radosavljeviq, Zhivko Trajkoviq, Bogoljub Janiqeviq, Milan Leçiq, Radomir Mitiq, Dragan Gjorgoviq, Branko Mladenoviq, Dragan Jasoviq, Momqilo Sparavalo, Darko Amanoviq, Srboljub Vujnoviq, Bozhidar Marinkoviq, Zoran Stanojeviq, Milan Josanoviq, Goran Petkoviq, Dragoslav Nikoliq, Çedomir Aksiq dhe Zvonimir Janiqijeviq – akuzohen për kryerjen e krimeve të luftës kundër popullsisë civile.

Prokurorët i akuzojnë ata se gjatë një operacioni të forcave policore serbe gjatë luftës së viteve 1998-‘99, i vranë 42 civilë në Reçak të Shtimes, rreth 30 kilometra larg kryeqytetit Prishtinë.

Prokuroria ka kërkuar që gjykimi ndaj tyre të zhvillohet në mungesë, duke thënë ata janë të paarritshëm për organet e drejtësisë së Kosovës.

Gjykimi ndaj tyre duhej të niste më 20 korrik por Gjykata Themelore në Prishtinë e shtyu atë për këtë të premte në mungesë të kushteve ligjore.

Ramë Shabani, një 60-vjeçar që i mbijetoi Masakrës së Reçakut, tha për Radion Evropa e Lirë para fillimit të gjykimit se – edhe në rast se vërtetohet fajësia e të akuzuarve dhe ata dënohen – drejtësia do të mungojë.

“Unë jam që të ketë verdikt të drejtë. Por, kjo nuk mund të sjellë drejtësi. Ata 21 persona, të cilëve u janë përmendur emrat, nuk hyjnë më në Kosovë dhe ne [autoritetet e Kosovës] nuk do të mund t’i kapim kurrë… Pa qenë ata në bankën e të akuzuarve, nuk mund të bësh asgjë”, tha ai.

Gjykimi në mungesë

Gjykimi në mungesë mundësohet në Kosovë pas ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale, të bëra më 2022.

Megjithatë, gjykime të tilla mund të bëhen vetëm me kushtin që prokuroria dhe gjykata t’i kenë shteruar të gjitha mjetet për të siguruar praninë e të akuzuarit.

Por ky Kod përcakton se personat që gjykohen në mungesë kanë të drejtë për një rigjykim pa kushte, nëse arrestohen më vonë.

Ndërkohë, gjatë gjykimit në mungesë në rastin e Masakrës së Reçakut, prokurorët pritet të shpalosin para Gjykatës aktakuzën e plotë.

Aktakuza i ngarkon 21 të dyshuarit se, si pjesëtarë të ushtrisë së ish-Jugosllavisë, Brigadës së 243-të të Mekanizuar të Armatës së III-të, e njohur si “Korpusi i Prishtinës”, dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, gjatë viteve 1998-’99 kryen trajtim çnjerëzor, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik ndaj popullsisë civile.

Sipas aktakuzës, ata e kishin rrethuar fshatin Reçak nga drejtimet e njohura si “Pishat”, “Gështenjat” dhe “Çesta”, e më pas e kishin granatuar.

Më pas, kishin kontrolluar shtëpitë një nga një, kishin ndarë burrat nga gratë dhe fëmijët, duke i detyruar këta të fundit të largoheshin nga fshati, ndërsa burrat e ndaluar i kishin ekzekutuar.

Por, ky proces gjyqësor nuk është zhvillimi i vetëm lidhur me Masakrën e Reçakut.

Më 12 qershor, gjatë një operacioni të përbashkët të Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës, në kuadër të hetimeve për krime lufte në rastin e njohur si “Reçaku II”, u arrestuan pesë persona.

Prokuroria bëri të ditur se të arrestuarit janë të nacionalitetit serb. Ndërkaq, policia nuk arriti ta arrestonte personin e gjashtë, i cili nuk është gjetur në vendbanimin e tij.

Të arrestuarit dyshohen se kanë qenë pjesë e njësive speciale të policisë serbe që morën pjesë në operacionin e janarit në Reçak.

Dokumentimin e krimeve të kryera në Reçak e kishte bërë William Walker, i cili më 1999 kishte shërbyer si shef i Misionit Verifikues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

Kjo masakër shkaktoi reagim të fuqishëm ndërkombëtar dhe e rriti trysninë ndaj regjimit në Serbi, gjë që çoi në bisedime mes përfaqësuesve të shqiptarëve të Kosovës dhe autoriteteve të Serbisë, me ndërmjetësim ndërkombëtar, në Konferencën e Rambujesë në Francë.

Mosarritja e marrëveshjes e shtyu NATO-n të kryejë bombardime ndaj caqeve ushtarake dhe policore të ish-Jugosllavisë për 78 ditë.

Më pas, forcat ndërkombëtare hynë në Kosovë dhe nga vendi u larguan forcat dhe administrata serbe.

Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë ka dokumentuar 12.230 viktima të luftës së viteve 1998-’99.

Më herët gjatë vitit, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë në mungesë kundër 21 të dyshuarve për dëbimin me forcë të mbi 800.000 civilëve shqiptarë nga Kosova gjatë asaj lufte.

Abdixhiku i hapur për vazhdimin e bisedimeve me LVV-në për formimin e institucioneve

Radio Evropa e Lirë

Pasi i mbijetoi mocionit për shkarkimin nga kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se nga sot e heq pezullimin për bisedime me Lëvizjen Vetëvendosje për krijimin e institucioneve të reja të vendit, duke theksuar se Kosova ka nevojë për stabilitet institucional.

“Nga nesër e tutje do të përpiqemi të vazhdojmë diskutimet aty ku kanë mbetur. Nga sot e heqi atë pezullimin dhe LDK është e hapur të diskutojmë tutje për institucionet”, tha Abdixhiku.

Pas dorëzimit të nënshkrimeve për nismën për shkarkimin e tij, Abdixhiku kishte pezulluar bisedimet me udhëheqësin e partisë fituese, Albin Kurtin e Lëvizjes Vetëvendosje për formimin e institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e qershorit.

Abdixhiku, së bashku me ish-presidenten Vjosa Osmani, ishin takuar me Kurtin më 10 korrik, për çështjen e krijimit të institucioneve të reja. Ndonëse takimi nuk prodhoi ndonjë rezultat, Kurti dhe Abdixhiku pas takimit shprehën gatishmëri për vazhdimin e bisedimeve për një marrëveshje.

Kreu i LDK-së tha se nuk pranon marrëveshje që nuk ofron demokraci funksionale, ku pozitat shtetërore, Kuvendi, Qeveria dhe Presidenca t’i takonin një partie.

Ai tha se partia e tij është për një marrëveshje të mirë, e cila sipas tij nënkupton që të “ketë balancë institucionale mes palëve që duan të jenë pjesë e saj. E rëndësishme është që të shmangen zgjedhjet. Populli nuk do më zgjedhje të reja. Do stabilitet institucional”.

Seanca për konstituimin e legjislaturës së re është caktuar për 6 gusht dhe me konstituimin e organit ligjvënës nis edhe rrjedhja e afatit 60-ditor për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit. Pikërisht, mosarritja e konsensusit mes partive për presidentin muaj më parë nxiti zgjedhjet e qershorit.

Abdixhiku tha se janë vetëm edhe 60 ditë që të arrihet një marrëveshje, dhe nëse nuk arrihet, sipas tij, do të ishte “fatkeqësi”.

Sipas tij, në kuvendin partiak u miratua edhe një deklaratë politike, e cila kërkon nga deputetët e LDK-së që të respektojnë vullnetin e shumicës në parti. Megjithatë, Abdixhiku tha se nuk mund të kërkojë votën e 18 deputetëve të partisë për një marrëveshje, e cila ende nuk është arritur.

Sipas Kushtetutës, për konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e Qeverisë nevojiten 61 vota në Kuvendin prej 120 ulësesh.

LVV-ja, së bashku me partitë nga komunitetet pakicë joserbe i kanë numrat e nevojshme për këto dy procese. Por, për zgjedhjen e presidentin nevojitet një marrëveshje politike, pasi kërkohet prania e 80 deputetëve në dy rundet e para të votimit.

Me një marrëveshje të mundshme me LDK-në, e cila i ka 18 deputetë, atëherë do të arriheshin të paktën 81 vota, mjaftueshëm për votimin e presidentit të ri, nëse të paktën 80 prej tyre do të qëndronin në sallë.

Gjatë konferencës për media, Abdixhiku po ashtu foli edhe për mocionin për shkarkimin e tij, që u iniciua me nënshkrimin e mbi 100 delegatëve të LDK-së. Mocioni u ngrit nga disa delegatë të LDK-së për shkak të pakënaqësive me rezultatin në zgjedhjet parlamentare të qershorit.

Ai i mbijetoi këtij mocioni pasi 170 vota ishin kundër shkarkimit, ndërsa 152 votuan për shkarkimin e tij, e pesë abstenuan.

Kreu i LDK-së premtoi se nuk do të ketë hakmarrje për ata që ndërmorën këtë nismë, “por rrugën s’mund ta bësh me ata që nuk besojnë”.

Ai tha se do të përpiqet ta bashkojë partinë, por jo duke bërë kompromis mbi vlerat, teksa e konsideroi kuvendin e 30 korrikut si pikën “më pak krenare” në historinë e LDK-së.

Pas lajmit se Abdixhiku mbetet në krye të LDK-së, i menjëhershëm ishte reagimi i ish-presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila në zgjedhjet e qershorit ishte bartëse e listës së LDK-së.

“Jo çdo fitore është e zakonshme. Disa fitore bëhen frymëzim. Kjo është njëra prej tyre!”, shkroi ajo në Facebook.

Ndërkaq, deputeti i zgjedhur i LDK-së, Armend Zemaj, – i cili kishte dorëzuar nënshkrimet për mocionin – tha pas mbylljes së punimeve të kuvendit se procesi ishte demokratik, duke pranuar vullnetin e delegatëve.

“Ky është rezultati. Gjithçka ishte demokratike dhe partia doli e bashkuar”, tha ai.

Çfarë tha Abdixhiku gjatë fjalës para delegatëve të LDK-së?

Në nisje të punimeve të kuvendit të jashtëzakonshëm të LDK-së, Abdixhiku mbajti një fjalë para delegatëve, ku e kundërshtoi nismën për shkarkim, të cilën e cilësoi si “të gabuar, të pavend dhe të pakohë” nismën për shkarkimin e tij.

“E konsideroj të gabuar, vjen në mënyrë të njënashme, në një kohë të ndjeshme për vendin dhe kohë përcaktuese për partinë tonë”, tha ai.

Ai argumentoi se brenda pak muajsh ishte paraparë që të mbahej procesi i rregullt zgjedhor në parti, duke thënë se nuk do të kishte nevojë për rrëzim, por për zgjedhjen e udhëheqjes së re.

Abdixhiku tha se ky kuvend po mbahej në periudhën kur Kosova po përballet me një prej krizave më të mëdha institucionale në dekadat e fundit, dhe sipas tij, “zgjedhjet e reja që na rrinë mbi qafë sërish”.

Ai kujtoi se më 31 janar kishte fituar votëbesimin e partisë për të vazhduar udhëheqjen, ndonëse theksoi se kuvendi atëbotë ishte thirrur pasi partia kishte shënuar rezultat më të keq në zgjedhjet e shkurtit, sesa shënoi në qershor.

“Me cilën logjikë vazhdohet me rezultat më të keq, e rrëzohet me rezultat më të mirë”, tha Abdixhiku.

Sipas tij, përgjegjësinë për punën i jep aktivistëve që u angazhuan gjatë fushatës zgjedhore dhe që e mbrojtën partinë, e jo atyre, që sipas Abdixhikut, refuzuan të merrnin pjesë në organet e partisë e në betejat politike.

Abdixhiku tha se së voni delegatët janë përballur me presione dhe kërcënime për nënshkrimet për nismën kundër tij, duke argumentuar se kjo nuk është mendësia rugoviane.

“Unë sot e vendosi fatin tim në duart tuaj, edhe njëherë. Ju, ju lutem vendoseni fatin e Kosovës dhe LDK-së, mbi fatin tim”, tha Abdixhiku, duke shtuar se do të pranojë rezultatin e këtij kuvendi.

Abdixhiku e thirri kuvendin e jashtëzakonshëm më 27 korrik, pasi qindra delegatë dorëzuan nismën për shkarkimin e tij, pas pakënaqësive me rezultatin e zgjedhjeve të qershorit, ku LDK-ja doli fuqia e tretë politike me 18 deputetë, në Kuvendin me 120 mandate.

Kuvendin e LDK-së e përbëjnë 354 delegatë të zgjedhur në kuvendet e degëve, plus kryetari aktual i partisë, që me automatizëm është delegat i Kuvendit të Përgjithshëm të LDK-së.

Nisma për shkarkimin e Abdixhikut nga kreu i LDK-së erdhi pas përplasjeve brenda LDK-së dhe pakënaqësive me udhëheqjen e Abdixhikut.

Si erdhi situata deri këtu?

Pasi LDK-ja, që garoi me ish-presidenten Osmani si bartëse të listës zgjedhore, doli e treta në zgjedhjet e qershorit, brenda partisë filluan pakënaqësitë.

Në fund të muajit qershor, dy kryetarë komunash dhe disa drejtues degësh, publikisht kërkuan dorëheqjen e Abdixhikut, duke thënë se ai duhet të marrë përgjegjësinë për rezultatin zgjedhor dhe për mungesën e një rritjeje të ndjeshme në vota.

Abdixhiku u kundërpërgjigj, duke u bërë thirrje kritikëve që të jepnin dorëheqje.

Kjo s’është hera e parë që Abdixhiku përballet me thirrje për dorëheqje. Në janar, pas zgjedhjeve të mbajtura në fund të dhjetorit të vitit paraprak, ai vetë kërkoi votëbesimin e partisë dhe në kuvend mori mbështetjen e delegatëve.

Megjithatë, disa figura partiake që kërkuan dorëheqjen e tij, që nuk u pajtuan me votëbesimin dhanë dorëheqje nga pozitat partiake – në mesin e tyre edhe Hykmete Bajrami, që u dorëhoq nga posti i nënkryetares së partisë.

LDK është formuar më 1989 nga Ibrahim Rugova. Partia ka luajtur rol kyç në periudhën e rezistencës paqësore dhe në ndërtimin e institucioneve demokratike të vendit.


Send this to a friend