Deputetët e zgjedhur pritet të mblidhen më 9 shtator për vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, në përpjekje për t’i formuar institucionet e reja të vendit pas zgjedhjeve të qershorit, dhe për t’i dhënë fund krizës pothuajse dyvjeçare politike.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, njoftoi të premten se ka vendosur që seanca e mbetur në gjysmë muajin e kaluar të vazhdojë të mërkurën në orën 11:00.
Ai tha se e mori këtë vendim pas arritjes së një marrëveshjeje të brishtë politike mes Lëvizjes Vetëvendosje të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës në opozitë, për kandidatin për president të Kosovës.
“Edhe pse ende nuk ka qartësi të plotë, nëse ekziston numri i nevojshëm i deputetëve për konstituimin e të gjitha institucioneve, kam vendosur që vazhdimin e Seancës Konstitutive ta thërras më 9 shtator, në orën 11:00”, tha Dehari në Facebook.
Zgjedhja e presidentit të ri të vendit është në qendër të krizës politike tani, pasi kërkohet një marrëveshje politike mes pushtetit dhe opozitës për t’i siguruar votat e nevojshme.
Vazhdimi i seancës
Seanca konstituive nisi më 6 gusht, dhe në atë ditë deputetët e legjislaturës së 11-të e dhanë betimin, por ajo u ndërpre në gjysmë pasi Kurti kërkoi kohë për arritjen e një marrëveshjeje politike.
Deputetët u mblodhën edhe një herë më 8 gusht dhe, edhe ajo seancë u ndërpre me kërkesën e njëjtë të Kurtit, i cili u gjuajt me vezë nga deputetja opozitare Time Kadrijaj.
Tani deputetët duhet ta zgjedhin kryetarin e Kuvendit dhe pesë nënkryetarët për ta formuar Kuvendin e ri, i cili i hap rrugë formimit të Qeverisë së re dhe eventualisht emërimit të presidentit të ri.
Por, i tërë ky proces po zhvillohet mes paqartësive dhe akuzave për shkelje.
Në bazë të një aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, konstituimi i Kuvendit duhet të përmbyllet brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve dhe ky afat skadoi më 7 gusht në mesnatë.
LVV-ja kishte argumentuar se afati 30-ditor nisi më 6 gusht dhe se kishte kohë deri më 6 shtator.
Por, pas vendimit të Deharit për vazhdimin e seancës më 9 shtator, duket se edhe ky afat është shpërfillur.
Ekspertët kushtetues thanë më herët për Radion Evropa e Lirë se shpërfillja e këtij afati përbën shkelje kushtetuese.
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës kishte thënë se caktimi i vazhdimit të seancës konstituive pas afatit kushtetues përbënte “shkelje të hapur dhe cenim të drejtpërdrejtë të rendit kushtetues”.
Por, Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, argumentoi sem ndonëse shpërfillja e afatit për konstituimin e Kuvendit përbënte shkelje kushtetuese, ajo nuk nënkuptonte se seanca nuk ka mundësi të mbahet më vonë.
Ai i tha Radios Evropa e Lirë më herët se vazhdimi i seancës do të mundë të caktohej pas afatit kushtetues meqë nuk është përcaktuar se cili është sanksioni konkret në rast se Kuvendi nuk konstituohet brenda këtij afati.

