Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, njëkohësisht deputete e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në Kuvendin e Kosovës, Albulena Haxhiu, ka paralajmëruar se partia e saj do të ketë “takim së shpejti” me Lidhjen Demokratike të Kosovë, në përpjekje për të arritur një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të ri të shtetit.
Këtë deklaratë, Haxhiu e bëri në një konferencë, pas një takimi që kishte thirrur me partitë politike parlamentare, siç ka thënë për t’u konsultuar në lidhje me daljen nga kriza politike “dhe shmangien e zgjedhjeve të parakohshme”.
Thirrjen e saj e refuzuan Partia Demokratike e Kosovës (PDK), LDK-ja dhe Aleanca, tri partitë më të mëdha parlamentare pas LVV-së, e cila i fitoi zgjedhjet e 7 qershorit.
Sipas Haxhiut, në takim ishin 11 liderë të partive të tjera politike parlamentare, përfshirë ato të minoriteteve etnike.
“Të gjitha subjektet [e pranishme] ishin të qëndrimit që duhet të kontribuojmë maksimalisht në zgjedhjen e Presidentit dhe shmangien e zgjedhjeve të parakohshme”, tha Haxhiu.
Teksa paralajmëroi takim të ri mes LVV-së dhe LDK-së, ajo nuk saktësoi se kur do të ndodhë ai.
Haxhiu bëri thirrje që të gjitha partitë “të flasin me emra të përveçëm” për një president të mundshëm konsensual.
Më herët, LDK-ja kishte shprehur qëndrimin se nuk dëshiron marrëveshje politike për të ndarë pushtetin në qeveri, por se është e hapur për të diskutuar për një “figurë konsensuale për president”.
Ndonëse kanë kaluar më shumë se 30 ditë nga afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit të Kosovës pas zgjedhjeve, qëndrimi i partisë fituese të zgjedhjeve, LVV, është që Kuvendi nuk duhet të konstituohet deri sa të arrihet një marrëveshje për presidentin.
Në anën tjetër, partitë që më herët ishin në opozitë e akuzojnë LVV-në për shkelje të Kushtetutës dhe për zvarritje të çështjes së konstituimit të Kuvendit, ndonëse i kanë numrat për ta bërë atë.
“Nëse nuk mund të merremi vesh sot, nuk kemi asnjë garanci që një palë zgjedhje të reja mund të na bëjnë të merremi vesh nesër”, shtoi tutje Haxhiu, duke arsyetuar vonesën në konstituimin e Kuvendit.
Kriza institucionale në Kosovë ka vazhduar pas zgjedhjeve të 7 qershorit, të cilat u mbajtën pasi partitë nuk arritën të gjenin marrëveshje për zgjedhjen e presidentit, pas përfundimit të mandatit pesëvjeçar të Vjosa Osmanit në krye të shtetit.
LVV-ja fitoi 53 vende në Kuvend, PDK-ja 22, LDK-ja 18 dhe AAK-ja shtatë. Për zgjedhjen e presidentit, Kushtetuta kërkon praninë e të paktën 80 deputetëve në sallë në dy rundet e para të votimit.
Nëse presidenti nuk zgjidhet as në rundin e tretë, Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja.

