VOAL

VOAL

Rrugëtimi politik i Albulena Haxhiut – ushtrueses së detyrës së presidentit

Valbona Bytyqi

Aktiviste politike, deputete, ministre e kryetare e Kuvendit – ky është rrugëtimi 16-vjeçar i Albulena Haxhiut, e cila nga 4 prilli është edhe ushtruese e detyrës së presidentit, për shkak të skadimit të mandatit të presidentes së deritashme, Vjosa Osmanit.

Haxhiu, 38-vjeçare, do të jetë në krye të shtetit, derisa për deputetët e legjislaturës së 10-të po rrjedh afati kushtetues – deri më 28 prill – që ta zgjedhin presidentin e ri.

Në të kundërtën, vendi duhet t’i mbajë zgjedhjet e parakohshme brenda 45 ditësh.

Sipas Kushtetutës, pozita e ushtruesit të detyrës së presidentit, “nuk mund të ushtrohet për një periudhë më të gjatë se gjashtë muaj”.

Pasi e pranoi detyrën pasditën e 4 prillit nga presidentja e deritanishme, Haxhiu tha se është e vetëdijshme për përgjegjësitë kushtetuese që sjellë kjo detyrë, megjithëse përkohësisht për të.

“Unë e kuptoj përgjegjësinë dhe obligimet kushtetuese dhe zotohem se do të veproj në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi”, tha Haxhiu teksa e pranoi detyrën.

Albulena Haxhiu është pjesë e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), ndërsa kryetare e Kuvendit është zgjedhur më 11 shkurt, ditën kur është formuar edhe Qeveria e re.

Ngjitja e saj në këtë pozitë nuk ka qenë proces i lehtë. Ajo është propozuar për kryeparlamentare mbi 50 herë pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit të vitit 2025, mirëpo nuk i ka siguruar asnjëherë votat e nevojshme.

Megjithatë, për disa muaj ajo e ushtroi pozitën e nënkryetares, deri në shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit 2025.

Si njihet Haxhiu?

Me t’iu bashkuar Lëvizjes Vetëvendosje, Haxhiu është zgjedhur deputete e legjislaturës së katërt të Kuvendit të Kosovës në periudhën 2011- 2014.

Ajo ka qenë deputete shtatë herë radhazi, derisa në katër legjislaturat e fundit është emëruar në pozita tjera: ministre, nënkryetare e Kuvendit dhe kryekuvendare.

Si deputete, ajo e ka udhëhequr për dy mandate Komisionin për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit.

Më 2020, Haxhiu është emëruar ministre e Drejtësisë, dhe është riemëruar në atë pozitë edhe në Qeverinë e radhës të formuar më 2021.

Në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit dhe 28 dhjetorit 2025, ajo ishte gruaja më e votuar – në procesin e parë zgjedhor i fitoi mbi 125 mijë vota, në të dytin mbi 174 mijë sosh.

Nga protestat në rrugë deri te Presidenca

Sa ka qenë në opozitë, Haxhiu është parë pothuajse gjithmonë në ballë të protestave të Lëvizjes Vetëvendosje, për çka është arrestuar disa herë.

Më 2018, pas një procesi disavjeçar, Haxhiu është dënuar me kusht nga Gjykata Themelore në Prishtinë për hedhje të gazit lotsjellës e pengim të personit zyrtar, veprime të cilët ajo dhe deputetë tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje i ndërmorën për ta penguar ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi dhe Marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Ajo u përfshi në tensione edhe në korrik të vitit 2023 sa ishte ministre e Drejtësisë.

Përgjatë një seance të Kuvendit, Haxhiu përplas fizikisht me deputetin e Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtakun, i cili gjuajti me ujë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, teksa po fliste në foltore.

Më herët gjatë vitit, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka refuzuar një aktakuzë ndaj Haxhiut, dhe disa ish-deputetëve tjerë, të cilët akuzoheshin për posedim të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës më 2016, duke i dhënë fund një procesi të gjatë gjyqësor.

Ushtruesja e detyrës së presidentit është e lindur më 11 maj 1987 në Prishtinë.

Studimet i ka përfunduar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës dhe në Universitetin e Evropës Juglindore, në drejtimin e të drejtës penale.

Haxhiu është e martuar me ish-anëtarin e LVV-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Alban Krasniqin, dhe i ka tre fëmijë.

Kurti: Javën e ardhshme takohem me Hamzën e Abdixhikun për çështjen e presidentit

Radio Evropa e Lirë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të premten se për çështjen e presidentit është në kontakt me dy udhëheqësit e partive më të mëdha opozitare dhe ka paralajmëruar takime me ta në javën e ardhshme.

Presidentes aktuale, Vjosa Osmani, i përfundon mandati pesëvjeçar nesër, dhe pritet që kryeparlamentarja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, të marrë postin e ushtrueses së detyrës së presidentit.

“Jam në komunikim dhe në kontakt me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Do të ketë takime javën e ardhshme”, tha shkurt Kurti për RTV 21, para se të hynte në një seancë plenare.

Edhe ditë më parë, Kurti, që është kreu i Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet, paralajmëroi takim me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, dhe atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Paralajmërimi për takim vjen pasi Gjykata Kushtetuese, më 25 mars, u dha afat deputetëve që brenda 34 ditësh të zgjedhin presidentin, në të kundërtën vendi do të shkojë automatikisht në zgjedhje të parakohshme.

Më 2 prill, Kurti bëri thirrje për bashkëpunim për presidentin, duke argumentuar se vendi nuk ka luks për vonesa e bllokada.

Megjithatë, partia tjetër opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e akuzoi LVV-në e Kurti se po e zvarrit procesin e zgjedhjes së presidentit për interesa të veta.

Kurti kishte zhvilluar takime të ndara me Hamzën dhe Abdixhikun edhe para se çështja të dërgohej në gjykatën më të lartë në vend dhe para se ajo të nxirrte aktgjykimin.

Megjithatë, këto takime nuk prodhuan ndonjë rezultat dhe në një seancë më 5 mars, LVV-ja paraqiti dy propozime për president: kryediplomatin Glauk Konjufca, dhe deputeten Fatmire Mullhaxha-Kollçaku.

Çështja përfundoi në Gjykatën Kushtetuese pasi presidentja Vjosa Osmani kishte dekretuar shpërndarjen e Kuvendit më 6 mars, një ditë pas dështimit të zgjedhjes së presidentit. Gjykata vlerësoi se ky dekret nuk ka prodhuar efekt juridik.

Aktualisht, LVV-ja nuk i ka votat e mjaftueshme për ta zgjedhur e vetme presidentin. Për këtë proces nevojiten të paktën 80 deputetë të pranishëm në sallë dhe dy të tretat e votave në dy rundet e para, ndërsa në rundin e tretë kërkohen 61 vota.

Partitë opozitare kanë thënë se përgjegjësia kryesore për sigurimin e shumicës bie mbi partinë në pushtet, ndërsa kanë kërkuar marrëveshje politike për tejkalimin e situatës.

Qeveria e Kosovës miraton projektligjin për çmimet tavan dhe atë për sigurimet shëndetësore

Qeveria e Kosovës gjatë një mbledhjeje.

 

Radio Evropa e Lirë

Kabineti i kryeministrit Albin Kurti i ka kaluar të premten projektligjet për çmimet tavan dhe për sigurimet e detyrueshme shëndetësore, të cilat duhet të dërgohen në Kuvendin e Kosovës për miratim para se të bëhen ligje.

Kjo është një përpjekje e re e Kurtit për t’i fuqizuar këto dy ligje, pasi Gjykata Kushtetuese ia kishte rrëzuar që të dyja gjatë mandatit të kaluar katërvjeçar.

Projektligji për çmimet tavan, i njohur si projektligji për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit të tregut, vjen po ashtu në një kohë kur rritja e madhe e çmimit të karburanteve në vend ka nxitur frikën për rritje zinxhir të çmimeve, sidomos atyre bazike.

Vetëm brenda pak javësh, çmimi i një litri naftë në pikat e karburanteve në Kosovë ka arritur deri në 1.79 euro, krahasuar me 1.33 euro sa ishte më 3 mars, tri ditë pas nisjes së sulmeve nga SHBA-ja dhe Izraeli kundër Iranit.

Duke folur në mbledhjen e kabinetit të tij për këtë projektligj, Kurti tha: “Po e sjellim për miratim këtë projektligj, i cili vjen si përgjigje e domosdoshme ndaj një realiteti e përvoje që qytetarët tanë e kanë përjetuar: rritje të papritura të çmimeve, paqartësi në treg dhe mungesë e mekanizmave për mbrojtje”.

Projektligji vendos një baraspeshë të domosdoshme ndërmjet funksionimit të lirë të tregut dhe përgjegjësisë së shtetit për ta mbrojtur interesin publik në situata të jashtëzakonshme, sipas Kurtit.

Ligji për çmimet tavan ishte shpallur i pavlefshëm nga Gjykata Kushtetuese në vitin 2023, kur gjykata kishte theksuar se ai nuk ishte në përputhje me Kushtetutën e vendit.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari – Lila, tha gjatë paraqitjes së projektligjit tha se në hartimin e tij e ka marrë parasysh rekomandimet e Kushtetueses.

Ajo tha se projektligji i ri përcakton dy lloje të masave të përkohshme: caktimin e marzhës tregtare për shitje me shumicë dhe pakicë, si dhe caktimin e çmimit maksimal të lejuar për produktet bazë.

Ligji i kaluar, tashmë i shpallur i pavlefshëm, i cilësonte produkte themelore: drithërat, bukën, miellin, orizin, pastat, vajin ushqimor të lulediellit, qumështin, kripën e kuzhinës, vezët e pulës, mishin e pulës, sheqerin kristalor, produktet e higjienës personale dhe lëndët e drurit për djegie.

Ligji për sigurimet shëndetësore

Ligji për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese në janar, pasi ajo gjeti se ky ligj ishte miratuar në mënyrë jokushtetuese.

Gjykata tha në vendimin e janarit se Kuvendi e miratoi atë më 5 dhjetor 2024 duke bërë shkeljeve procedurale gjatë procesit ligjbërës.

Duke e paraqitur projektligjin e ri të premten, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se kjo është “një nga nismat më të rëndësishme për të ardhmen e shëndetësisë në vendin tonë”.

Ai tha se përmes këtij ligji do të themelohet një fond i sigurimit të detyrueshëm shëndetësor i Kosovës.

Projektligji përfshin të gjithë popullatën e vendit, synon ofrimin e qasjes universale në shërbime themelore shëndetësore, si dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve, theksoi ai.

Ai parasheh edhe rregullimin e kontributeve për sigurimin shëndetësor si burim i financimit të kujdesit shëndetësor, i cili do të jetë shtesë mbi financimin e tanishëm nga buxheti i shtetit.

Kjo është një përpjekje 10-vjeçare për sjelljen e sigurimit të detyrueshëm shëndetësor në vend.

Mungesa e sigurimit të detyrueshëm shëndetësor besohet se i ka dëmtuar të gjithë qytetarët e Kosovës, sidomos shtresat e varfra të shoqërisë dhe grupet e cenueshme, si pensionistët dhe rastet sociale.

Shërbimet në institucionet publike shëndetësore në Kosovë ofrohen pa pagesë vetëm për kategori të caktuara, si fëmijët, pensionistët apo rastet sociale, ndërsa për të tjerët vlen bashkëpagesa për kujdes shëndetësor.

Shuma e saj varion – nga 1 deri në qindra euro – varësisht nga shërbimi që merr pacienti.

Për ato trajtime që nuk realizohen në institucionet publike, përgjegjësinë e mbulimit të kostove e ka Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, i cili menaxhohet nga Ministria e Shëndetësisë. Por procedurat burokratike, derisa pacientët t’i marrin mjetet e nevojshme, zgjasin me javë të tëra, e nganjëherë edhe muaj.

Prandaj, shumë qytetarë detyrohen t’i përballojnë vetë shpenzimet – qoftë në spitale private, qoftë jashtë shtetit.

Sigurime shëndetësore kanë vetëm ata që i marrin nga kompanitë private.

Kuvendi miraton një sërë marrëveshjesh ndërkombëtare në vlerë prej miliona eurosh

Radio Evropa e Lirë

Ligjvënësit kosovarë i kanë ratifikuar të enjten një sërë marrëveshjesh ndërkombëtare, të cilat kapin vlerën e miliona eurove.

Ratifikimi i tyre vjen pas vonesave të shkaktuara nga pezullimi i punës së Kuvendit gjatë marsit, si pasojë e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, lidhur me një dekret të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e legjislaturës së dhjetë, i cili u rrëzua dhe ligjvënësit rifilluan punën.

Marrëveshjet e rëndësishme ndërkombëtare mund të miratohen vetëm me votat e 2/3 të deputetëve të Kuvendit me 120 vende.

Marrëveshjet e së enjtes u miratuan me votat e Lëvizjes Vetëvendosje, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe nga një pjesë e pakicave, ndërsa deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës e braktisën sallën paraprakisht, si shenjë pakënaqësie ndaj mosfutjes së një rezolute si pikë të parë të rendit të ditës.

Në mesin e marrëveshjeve që kaluan të enjten është edhe ajo për kredinë mes Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin “Energjia Diellore Fotovoltaike” në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), në vlerë prej 33 milionë eurosh.

Marrëveshjet e ratifikuara:

  • Marrëveshja për qasje në arsimin e lartë dhe pranim për studime në Ballkanin Perëndimor.
  • Marrëveshja financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, për Programin IPA 2018.
  • Marrëveshja financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, për Programin IPA 2017.
  • Marrëveshja e kredisë mes Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin Energjia Diellore Fotovoltaike në KEK – Porta Globale.
  • Marrëveshja e Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) për Projektin e efiçencës së energjisë në ndërtesa publike.
  • Marrëveshja e kredisë “Projekti i Rrugës me Shpejtësi të Lartë Prishtinë – Mitrovicë” (Kredi shtesë) ndërmjet Fondit Saudit për Zhvillim dhe Republikës së Kosovës.
  • Marrëveshja e kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin “Impianti për Trajtimin e Ujërave të Zeza në Podujevë”.

Vlera e katër prej këtyre marrëveshjeve, duke përfshirë edhe atë me Bankën Evropiane për Investime, shkon në 121 milionë euro.

Banka Evropiane e Investimeve i kishte thënë Radios Evropa e Lirë në mars se ratifikimi i marrëveshjes “ishte i nevojshëm për ofrimin e financimit të propozuar”.

“Ratifikimi i marrëveshjes do t’i mundësonte Kosovës të ecë përpara me ndërtimin e njërit prej centraleve të saj më të mëdha fotovoltaike diellore, me një kapacitet deri në 100 megavatë. Projekti pritet të forcojë sigurinë energjetike të vendit duke rritur pjesën e energjisë së rinovueshme të prodhuar në vend dhe duke zvogëluar varësinë nga gjenerimi me bazë qymyri. Ai gjithashtu do të mbështeste qëllimet më të gjera të tranzicionit të gjelbër të Kosovës, pasi centrali pritet të gjenerojë rreth 169 gigavatë energji elektrike në vit dhe do t’i ulte ndjeshëm emetimet e dyoksidit të karbonit sapo të vihet në funksion”, thuhej në përgjigje.

E një zëdhënës nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) i kishte thënë Radios Evropës së Lirë se çdo vonesë në ratifikimin e dy marrëveshjeve të kredisë do të “mund të çonte në vonesa në kontraktimin dhe zbatimin e punimeve”.

Marrëveshjet me BERZH-in kapin vlerën e 75 milionë eurove.

Ndërkohë, Kuvendi dështoi t’i ratifikojë katër marrëveshje të tjera ndërkombëtare pasi deputetët opozitarë nga Partia Demokratike e Kosovës nuk ishin aty, ndërsa deputetët e LDK-së nuk pranuan që ato të procedoheshin në mënyrë të përshpejtuar siç kërkuan deputetët e partisë në pushtet.

Shtyhet seanca ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë është mbajtur konferenca përgatitore e mbrojtjes në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit.

Të pranishëm përmes video-lidhjes ishin Thaçi, Kilaj dhe Fazliu, ndërkaq Kuçi dhe Smakaj kanë hequr dorë nga e drejta për pjesëmarrje, për çka, gjyqtari i vetëm, Christopher Gosnell, tha se kjo lejohet sipas Rregullores së Procedurave dhe Provave.

Në këtë konferencë përgatitore, palët kanë parashtruar argumentet e tyre lidhur me dëshmitarët dhe datat e mundshme për mbajtjen e seancave.

Gjyqtari Gosnell i ka udhëzuar palët që të paraqiten më 14 dhe 15 prill për dëshminë e mundshme të një dëshmitari të mbrojtjes. Ai njoftoi se javën e ardhshme nuk do të ketë dëgjim të dëshmitarëve. Gjykimi është shtyrë për 14 prill.

“Duke marrë parasysh parashtrimet që dëgjuam në sallën e gjyqit sot dhe parashtrimet përkatëse të marra sipas rregullës 119, është e qartë se nuk ka dëshmitar për t’u dëgjuar të paktën javën që fillon më 7 prill 2026. Dëshmitari tjetër, i cili mbase do të duhej që të vijë në sallën e gjyqit dhe për të cilin do të planifikohej një datë seance këtu në sallën e gjyqit është dëshmitari DHD 01.

Megjithatë, kjo do të varet nga rezultati i kërkesës mbi bazën e rregullës 153 që do të duhej të dorëzohej pikë së pari dhe të merret vendimi lidhur me këtë. Do t’ju kërkoj palëve tani që të jenë të disponueshme për datën 14 dhe 15 prill për seancën e mundshme të këtij dëshmitari, që është dëshmitari DHD 01”, tha Gosnell.

Gosnell ka thënë se mbrojtja e Thaçit duhet të dorëzojë kërkesa deri nesër në orën 16:00.

“Do t’i kërkoj ekipit të Thaçit që të jetë sa më konkrete që është e mundur në parashtrimin në fjalë, pra të japë sa më qartë aspekte të kohës se kur dëshmitarët mund të vijnë të japin dëshminë, në qoftë se ato kategorizohen si dëshmitar ekspert, kur janë të disponueshëm të japin dëshmi, kjo është e para dhe e dyta në qoftë se ata do të paraqiten brenda 30 ditëve duhet që të jepet shkaku i duhur për të shkurtuar afatet e parashikuara në urdhrin për zhvillimin e gjykimit. Dhe, përveç kësaj, në qoftë se ata do të dëgjohen pas datës 28 prill, do të duhej që të jepen shkaqet e përligjura për justifikimin e ndryshimit të kalendarit që është miratuar”, ka thënë Gosnell.

Ekipet e mbrojtjes ditë më parë kanë dorëzuar njoftimet e tyre në lidhje me paraqitjen e provave në çështjen gjyqësore në lidhje me akuzat që kanë të bëjnë me administrimin e drejtësisë.

Megjithatë, në konferencën e sotme përgatitore u tha se ende nuk dihet nëse do të ketë ndonjë dëshmitar që do të dëshmojë gojarisht në sallën e gjyqit.

Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi, të cilët akuzohen për pengim të drejtësisë, janë deklaruar të pafajshëm para trupit gjykues.

Prokuroria pretendon se posedon dëshmi, përfshirë audio-incizime nga Qendra e Paraburgimit në Hagë.

Edhe avokatët mbrojtës kanë kundërshtuar këto pretendime, ku kanë thënë se provat e Prokurorisë nuk e dëshmojnë kryerjen e veprave penale për çka akuzohen.

Hashim Thaçi dhe të tjerët akuzohen nën pretendimet se gjatë vizitave më 2023 në Hagë, të njëjtit i kanë dhënë udhëzime dhe informacione konfidenciale dëshmitarëve për gjykimin për krime lufte.

Ish-presidenti, Hashim Thaçi akuzohet edhe për krime të pretenduara të luftës, bashkë me Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin.

Fjalët përfundimtare për këtë rast janë thënë gjatë muajit shkurt.

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar 45 vjet burgim për secilin nga katërshja e UÇK-së. Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës, ku edhe mbrojtja ka thënë se nuk ka asnjë provë që argumenton pretendimet e ZPS-së. bw

S’ka lëvizje drejt konsensusit për çështjen e presidentit, pavarësisht rrjedhjes së afatit

Valbona Bytyqi

Partitë kryesore politike në Kosovë ende nuk kanë bërë ndonjë lëvizje drejt arritjes së një marrëveshjeje të mundshme për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, pavarësisht se ka një javë që po rrjedh afati rreth njëmujor i vendosur nga gjykata më e lartë e vendit për këtë çështje.

Javën e kaluar, Kushtetuesja Kushtetuese u dha ligjvënësve 34 ditë kohë për ta zgjedhur kreun e shtetit, në të kundërtën, vendi shkon në zgjedhje të parakohshme, që duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

Presidentes së tanishme, Vjosa Osmani, i mbaron mandati më 4 prill dhe ligjvënësit kanë tani kohë deri më 28 prill për ta emëruar pasuesin e saj.

Megjithatë, që nga nxjerrja e aktgjykimit për këtë afat, kanë kaluar shtatë ditë, e veprime në drejtim të gjetjes së një zgjidhjeje apo arritjes së një marrëveshjeje për presidentin nuk janë parë në publik.

Burime të Radios Evropa e Lirë (REL) brenda dy partive më të mëdha opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), konfirmuan se ende nuk kanë pranuar ftesë për takim nga kryeministri Albin Kurti, kryetari i partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.

Në PDK thanë se janë duke organizuar mbledhjen e Këshillit Drejtues dhe se në këtë organ “do të përcaktohen qëndrimet zyrtare të partisë në raport me zhvillimet politike në vend”.

“Pas këtij procesi të brendshëm, PDK-ja do të dal me një qëndrim të qartë dhe të unifikuar për hapat e mëtejmë”, tha një zyrtar nga kjo parti.

Dy ditë më parë, kryeministri Kurti paralajmëroi se do t’iu dërgojë ftesa liderëve të partive politike, por nuk tregoi se kur.

Ai shtoi se do ta bënte këtë pas “konsultimeve të brendshme”, pa dhënë më shumë hollësi.

“Sa është e rëndësishme që ta trajtojmë me urgjencë është e rëndësishme edhe që të kemi edhe sukses. Sepse, në fund të fundit, nuk do të matemi me përpjekjet që bëjmë, por me suksesin që e arrijmë”, theksoi Kurti më 30 mars.

Politologu Dritëro Arifi vlerëson për REL-in se Lëvizja Vetëvendosje duhet t’i tërheqë dy kandidatët e propozuar për president, Glauk Konjufcën e Fatmire Mullhaxha-Kollçakun, që të krijojë hapësirë për diskutime me partitë e tjera.

“Esenca është a do të dërgojnë sinjale paraprake, siç thashë me largimin e atyre kandidatëve. Ata duhet ‘të japin dorëheqje’ teknikisht, që krijohet hapësirë për negociata më serioze”, thekson Arifi, duke shtuar se kësisoj diskutimet do të mund të zhvilloheshin në frymë kompromisi.

Zgjedhja e presidentit të ri dështoi në fillim të muajit të kaluar pikërisht për shkak të mungesës së një marrëveshjeje mes partive.

Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçaku-Mullhaxha, nuk u hodhën fare në votim në mungesë të kuorumit.

Presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para apo me 61 vota në rundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mundë të mbahet.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, tha të mërkurën se çështja e zgjedhjes së presidentit varet nga takimet që do të zhvillohen.

Sipas tij, Vetëvendosje ka “vullnetin dhe gatishmërinë” që të gjejë një kompromis.

“Uroj që (përfaqësuesit e partive opozitare) do të reflektojnë pozitivisht dhe Kosova ta tejkalojë këtë krizë të panevojshme, e cila ka rrezik që të na çojë në zgjedhje, prapë po them të panevojshme”, tha Abrashi për agjencinë e lajmeve “EkonomiaOnline”.

Pas publikimit të aktgjykimit të Kushtetueses, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se përgjegjësia kryesore për çështjen e presidentit mbetet te shumica parlamentare.

“LDK mbetet e gatshme të kontribuojë në çdo përpjekje serioze për zgjidhje, që garanton stabilitet dhe funksionim normal të institucioneve. Por, njëkohësisht, nuk do të bëhet alibi e dështimeve të askujt”, tha ai.

Nëse presidenti i ri nuk zgjidhet deri më 4 prill, atëherë detyrën e presidentit do ta ushtrojë kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.

Sipas Kushtetutës, posti i ushtruesit të detyrës së presidentit nuk mund të ushtrohet për një periudhë më të gjatë se gjashtë muaj.

Marrjen e detyrës nga Haxhiu, politologu Arifi e sheh si një nga arsyet pse Lëvizja Vetëvendosje është duke shtyrë nisjen e diskutimeve me partitë opozitare për zgjedhjen e presidentit.

Sipas tij, ndonëse të gjitha partitë politike deklarohen se janë të gatshme për zgjedhje, koha e mbajtjes së tyre mund të jetë më e përshtatshme për njërën palë se sa për tjetrën.

“Mendoj që në këtë rast partia në pushtet po luan me elementin kohë me qëllim që të krijoj presion por ndoshta edhe një zvarritjen e radhës për caktimin e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme”, tha ai.

Qeveria e Kosovës miratoi dhënien e pagës së 13-të për punonjësit që paguhen nga buxheti i shtetit

 

Qeveria e Kosovës ka miratuar dhënien e pagës së 13-të për punëtorët e sektorit publik.

Në mbledhjen e Qeverisë, më 30.03.2026, kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Financave, Hekuran Murati, kanë dhënë detaje se kujt do t’u ndahet kjo pagë.

“Ky vendim është një shprehje konkrete e mirënjohjes për kontributin e tyre [punëtorëve të sektorit publik] në funksionimin e institucioneve dhe ofrimin e shërbimeve për qytetarët. Siç kemi premtuar, po e realizojmë këtë zotim duke dëshmuar se përgjegjësia ndaj punëtorëve përkthehet në veprime konkrete. Pagesa e 13-të synon të mbështesë mirëqenien e familjeve të tyre dhe të lehtësojë barrën financiare.” – tha Kurti.

Sipas tij, Qeveria mbetet e përkushtuar të vazhdojë me politika që e forcojnë administratën publike dhe mbështesin ata që u shërbejnë qytetarëve me punë.

Hekuran Murati, ministri i Financave tha se kjo pagë do t’u ndahet të gjithë personave që kanë së paku 12 muaj të plotë në sektorin publik.

“Kemi hasur në raste kur ka situata që nuk i kanë përmbushur të gjithë 12 muajt. Për të qenë sa më korrekt, jemi dakorduar me Thesarin dhe kemi siguruar fondet e mjaftueshme që për këta persona që nuk i kanë të përmbushur 12 muaj të plotë, të ipet pjesa e pjesshme. Pra, për aq muaj sa kanë qenë të angazhuar në këta 12 muajt e fundit, proporcionalisht, u takon edhe një pjesë e pagës së 13-të.” – ka thënë ministri Murati.

Ai ka shtuar se janë përkujdesur edhe për gratë që kanë qenë në pushim të lehonisë në këtë periudhë 12-mujore. Muajt e kaluar në pushim të lehonisë, sipas tij, do t’u njihen sikurse muajt që kanë punuar në orar të plotë, në mënyrë që edhe ato ta marrin pagën e 13-të të plotë.

“Njëkohësisht është paraparë edhe personat që figurojnë të suspenduar këtë muaj apo që kanë qenë të suspenduar më herët dhe ende vazhdon suspendimi i tyre, pra të mos përfshihen në pagën e 13-të. Vendimi parasheh që pavarësisht pozitave shtesë që mund të ketë një person, paga e 13-të ipet vetëm njëherë.” – ka treguar Murati.

Kryeministri Kurti gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, më 01.03.2026, kishte paralajmëruar se paga e 13-të për punëtorët e sektorit publik do të shpërndahet në fund të muajit mars.

Ky premtim pastaj është përsëritur gjatë fushatës për zgjedhje të parakohshme.

Kurti pati premtuar se ndarja e pagës së 13-të do të ishte ndër vendimet e para të Qeverisë në mandatin e tij të tretë. Kallxo.com

Prokuroria Speciale interviston Shkëlzen Gashin lidhur me ekspozitën për masakrat në Kosovë

Shkëlzen Gashi. Fotografi nga arkivi.

 

Radio Evropa e Lirë

Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se ka intervistuar Shkëlzen Gashin, nën dyshimet për veprën penale “nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”.

Prokuroria tha se intervistomi i Gashit dhe bastisja e shtëpisë së tij u bë në kuadër të hetimeve që po zhvillohen për ekspozitën “Masakrat në Kosovë 1998–1999” që u shfaq në sheshin e Prishtinës, por më vonë u largua nga autoritetet lokale.

“Në vendbanimin e të dyshuarit, është realizuar një urdhër kontrolli nga hetuesit e Departamentit për Krime të Rënda, me qëllim sigurimin e provave relevante për hetimin”, u tha në njoftim.

Më herët gjatë ditës, aktivisti Rron Gjinovci publikoi në llogarinë e tij në Facebook fotografi nga bastisja dhe autorizimin për Policinë e Kosovës për të mbledhur prova për ekspozitën që nxiti debat publik, pasi u tha se përmban pasaktësi lidhur me masakrat që kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë më 1998-99.

Ekspozita u largua nga Komuna e Prishtinës ndërkaq, Kuvendi i Kosovës, që kishte financuar një pjesë të ekspozitës të organizatave joqeveritare INTEGRA dhe ADMOVERE, tha se organi ligjvënës mbështet iniciativa që trajtojnë çështje me interes publik, por kjo mbështetje jepet “pa ndërhyrë në përmbajtje të projekteve të tilla”.

“Përmbajtja dhe qëndrimet e paraqitura në kuadër të ekspozitës mbeten përgjegjësi e autorëve dhe organizatorëve të saj”, u tha në reagimin e Kuvendit më 27 mars.

Ekspozita u prezantua në javën e shënimit të 27-vjetorit të nisjes së bombardimeve të NATO-s mbi caqet ushtarake dhe policore serbe në ish-Jugosllavi për të ndalur dhunën e forcave serbe kundër shqiptarëve në Kosovë.

Bombardimet nisën më 24 mars 1999 dhe zgjatën 78 ditë. Ato nisën pas përpjekjeve të dështuara të komunitetit ndërkombëtar për ta bindur ish-liderin serb, Sllobodan Millosheviq për një armëpushim.

Bombardimet u ndalën një ditë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës.

Me këtë marrëveshje, të negociuar ndërmjet NATO-s dhe zyrtarëve ushtarakë jugosllavë, forcat jugosllave u tërhoqën nga Kosova dhe u krijua forca paqeruajtëse ndërkombëtare, e udhëhequr nga NATO-ja.

Edhe pasi ka kaluar gjithë kjo kohë, Kosova vazhdon të mos e ketë një regjistër publik shtetëror të të gjitha llojeve të krimeve dhe dëmeve që ka lënë mbrapa lufta.

Çfarë kanë thënë organizatorët e ekspozitës?

Pas reagimeve të shumta, Gashi, në emër të organizatave ADMOVERE dhe INTEGRA se ekspozita është realizuar bazuar në librin e tij “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, të botuar në vitin 2024, ndërsa për përpilimin e listës së të vrarëve nëpër masakra, organizatat janë mbështetur në listën e të vrarëve nga “Libër Kujtimi i Kosovës” i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë (HLC) organizatë e udhëhequr nga Natasha Kandiq, aktiviste serbe për të drejtat e njeriut.

“Për fat të keq, gati tri dekada pas përfundimit të luftës, Kosova nuk e ka një listë të të gjithë të vrarëve në luftën e fundit në Kosovë 1998-1999… Theksojmë se verifikimi i njëpërnjëshëm i statusit të secilës viktimë dhe i numrit të saktë të civilëve të vrarë nuk ka qenë dhe nuk është përgjegjësi e organizatave tona”, është thënë në postimin e Gashit në Facebook.

Vetë ai ka thënë se përveç mospërputhjeve për Dubravë, njëjtë ka ndodhur edhe me të dhënat për masakrat në Reçak, Kotlinë, Kaçanik, Mejë, e të tjera.

“Sipas kësaj liste në Burgun e Dubravës janë vra gjithsej 106 veta. Prej tyre, 58 figurojnë civilë e 48 figurojnë persona të armatosur. Si është e mundur që në Burg të Dubravës 48 prej civilëve të vrarë të figurojnë si pjesëtarë të armatosur? Pse janë regjistruar këta si persona të armatosur? Persona të armatosur në burg? Për më keq, kjo mospërputhje nuk është e vetmja. Njëjtë ka ndodhur edhe në Masakrën e Mejës, ku numri i të vrarëve është 376 veta, por në listën e HLC-së figurojnë 349 civilë të vrarë, kurse 27 të vrarë figurojnë si të armatosur”, ka shkruar ndër të tjera Gashi.

Megjithatë, Fondi për të Drejtën Humanitare ka reaguar duke thënë se dhënat e paraqitura të ekspozitë në disa raste japin pasqyrë të pasaktë që krimeve dhe kjo nuk ka të bëjë me çështje interpretimi, por “me mungesë elementare të njohurive mbi të drejtën ndërkombëtare humanitare, faktet e vërtetuara në gjykatë dhe mënyrën e leximit të të dhënave”.

“Në Burgun e Dubravës nuk janë vrarë ‘persona të armatosur’, siç paraqitet në tabelën e ekspozitës. Të vrarët ishin të burgosur shqiptarë. Disa prej tyre kishin qenë pjesëtarë të UÇK-së para arrestimit, por në momentin e vrasjes nuk ishin luftëtarë. Ata ishin persona të privuar nga liria dhe nën kontroll të plotë të autoriteteve serbe, pra persona të mbrojtur sipas Konventave të Gjenevës. Statusi i tyre i mëparshëm si pjesëtarë të UÇK-së është i rëndësishëm për njohjen shtetërore pas vdekjes dhe për reparacionet materiale për familjet, por jo për përcaktimin e rrethanave të vdekjes”, ka thënë Fondi, duke përmendur se gabime të ngjashme janë bërë edhe për masakrat tjera.

Ky fond e ka cilësuar “shqetësuese” që, “Shkëlzen Gashi përpiqet të zhvendosë përgjegjësinë për këto gabime te Fondi për të Drejtën Humanitare. Kjo përbën një përpjekje për të diskredituar bazën më të besueshme të të dhënave për viktimat e luftës në Kosovë”.

Por, organizatorët u kundërpërgjigjën duke thënë se nuk kanë tentuar t’ia hedhin fajin Fondit për të Drejtën Humanitare, për shifrat e përmendura dhe që fajin e vërtetë në gjithë këto diskutime e ka shteti i Kosovës, që ende “nuk ka listë të saktë të të vrarëve”.

Organizatorët u kanë kërkuar falje familjarëve të viktimave.

Lufta e viteve 1998-’99 në Kosovë, i ka lënë rreth 13.000 njerëz të vrarë, ndërsa mbi 1.600 të tjerë ende konsiderohen të zhdukur.

Zyrtarë të Kosovës kanë deklaruar në të kaluarën se vlera e dëmeve ekonomike që Serbia ia ka shkaktuar Kosovës shkon në 22 miliardë euro.

Ndërkaq, që nga përfundimi i luftës së fundit në Kosovë, rreth 70 persona janë dënuar për krime lufte para institucioneve vendëse dhe ndërkombëtare.

Nga viti 2000, deri në vitin 2008, krimet e luftës në Kosovë janë hetuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa nga viti 2008, nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX).

Në vitin 2018, EULEX-i i ka dorëzuar lëndët në Prokurorinë e Kosovës dhe në gjykatat vendëse.

Kushtetuesja shpall të papranueshme kërkesën e presidentes Osmani lidhur me emërimin e anëtarëve të KQZ-së

Arjana Berisha

Gjykata Kushtetuese e Kosovës sot, më 30.03.2026, e ka shpallur të papranueshme kërkesën e presidentes Vjosa Osmani lidhur me çështjen e emërimit të anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Sipas njoftimit, Osmani kishte parashtruar kërkesë për vlerësimin e “konfliktit në mes të kompetencave kushtetuese sipas nenit 113 (3) (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, përkatësisht në mes të parashtrueses së kërkesës dhe “grupeve parlamentare si trupa të Kuvendit të Republikës së Kosovës” në ndërlidhje me emërimin e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Gjykata njëzëri vendosi të deklarojë kërkesën të papranueshme dhe të refuzojë kërkesën për vendosjen e masës së përkohshme.

Më 27.03.2026, Presidenca e Republikës së Kosovës ka njoftuar se nëntë anëtarë të rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve janë betuar para presidentes Vjosa Osmani.

Ky institucion ka thënë se anëtarët e rinj të KQZ-së janë propozuar nga partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës.

Osmani citohet t’u ketë uruar suksese anëtarëve të rinjt, duke vlerësuar se sistemi zgjedhor gjithmonë ka kontribuar në demokracinë e vendit.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të sqaruar çështjen e emërimit të anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhor (KQZ) për shkak se LVV ka propozuar tre anëtarë dhe PDK dy kurse ka vend vetëm për një anëtar të KQZ-së. E para e vendit nuk ka emëruar një anëtar të propozuar nga LVV dhe një të propozuar nga PDK.

“Presidentja Osmani i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me këtë çështje. Sapo ta marrë përgjigjen, do të vijohet me emërim. Në rrethanat aktuale janë bërë më shumë propozime nga grupet parlamentare sesa që parashikohet me Kushtetutë, prandaj duhet ta sqarojë këtë çështje Gjykata para se të vijohet tutje”- thanë nga kabineti i presidentes për KALLXO.com.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka propozuar tre kandidatë për përfaqësim në KQZ. Nga kjo parti janë propozuar Alban Krasniqi, Violeta Emini dhe Njazi Isaku.

Komisioni përbëhet nga njëmbëdhjetë anëtarë.

Sipas Kushtetutës, gjashtë anëtarë emërohen nga pjesëtarët e gjashtë grupeve më të mëdha parlamentare të përfaqësuara në Kuvend, të cilët nuk kanë të drejtë të marrin pjesë në ndarjen e vendeve të rezervuara. Nëse në Kuvend janë të përfaqësuara më pak grupe, grupi a grupet më të mëdha mund të emërojnë anëtarë shtesë.

Një anëtar emërohet nga deputetët e Kuvendit të cilët mbajnë vende të rezervuara a të garantuara për komunitetin serb të Kosovës dhe tre anëtarë nga deputetët e Kuvendit, të cilët mbajnë vende të rezervuara a të garantuara për komunitetet e tjera që nuk janë shumicë në Kosovë.

Kushtetuesja hedh poshtë kërkesën për çështjen e mospjesëmarrjes së deputetëve në seancën për presidentin

Radio Evropa e Lirë

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka hedhur poshtë kërkesën e kryeparlamentares Albulena Haxhiu dhe nëntë deputetëve të tjerë, të cilët pretenduan se me mospjesëmarrjen në seancën e 5 marsit për zgjedhjen e presidentit, deputetët e opozitës shkelën Kushtetutën.

Gjykata po ashtu ka hedhur poshtë kërkesën për masë të parakohshme lidhur me procedurën dhe afatet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit.

Kushtetuesja tha se çështjen lidhur me procedurën e zgjedhjes së presidentit veçse e ka trajtuar në dy aktgjykime të mëparshme, më 2016 dhe 2011, dhe në rrethanat e rastit aktual “Gjykata konsideron se nuk paraqiten rrethana të reja që do të arsyetonin një rishqyrtim të mëtejshëm të kësaj çështjeje”.

“Rrjedhimisht, Gjykata konstaton se kjo çështje përbën çështje të gjykuar [res judicata] dhe, si e tillë, hyn në kategorinë e kërkesave që përfaqësojnë përsëritje të një kërkese të mëparshme të shqyrtuar dhe të vendosur nga Gjykata”, u tha në vendimin e Kushtetueses.

Në kërkesën e Haxhiut dhe nëntë deputetëve të tjerë, u kërkua vendosja e masës së përkohshme, duke argumentuar se kalimi i afateve kushtetuese për zgjedhjen e presidentit të ri “mund të çojë në shpërndarjen e Kuvendit” dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Kushtetuesja rikujtoi se për çështjen e shpërndarjes së Kuvendit veçse ka nxjerr një aktgjykim disa ditë më parë.

Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu iu drejtua Kushtetueses më 5 mars, disa minuta pasi ndërpreu seancën për zgjedhjen e presidentit, për shkak se nuk kishte kuroum.

Ndërkaq, shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, po më 5 mars deklaroi se Gjykatës Kushtetuese i është kërkuar që të vendosë masa kundër deputetëve të opozitës që nuk morën pjesë në seancë, duke pamundësuar votimin e presidentit.

Aktgjykimi i ri vjen pasi Kushtetuesja më 25 mars publikoi një aktgjykim për lëndën e dërguar nga Qeveria e Kosovës për çështjen e presidentit, duke thënë se deputetët kishin 34 ditë kohë, përkatësisht deri më 28 prill, që të zgjidhnin presidentin e ri, në të kundërtën vendi shkon automatikisht në zgjedhje.

Çështja u dërgua në Kushtetuese nga Qeveria pasi më 6 mars, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, nxori një dekret për shpërndarjen e Kuvendit, një ditë pasi deputetët dështuan të zgjidhnin pasardhësin e Osmanit. Kushtetuesja gjeti se dekreti i Osmanit nuk ka prodhuar ndonjë efekt juridik.

Në këtë aktgjykim, Kushtetuesja sqaroi se Kuvendi i Kosovës shpërndahet në tri raste: nëse brenda 60 ditësh nga data e caktimit të mandatarit nga presidenti nuk formohet Qeveria, nëse për shpërndarjen e Kuvendit votojnë 2/3 e të gjithë deputetëve dhe nëse brenda 60 ditësh nga data e fillimit të procedurës së zgjedhjes, nuk zgjidhet presidenti i Kosovës.

“Gjykata marrë për bazë kontekstin specifik të rrethanave të konstituimit të Kuvendit më 11 shkurt 2026, vlerësoi se Kuvendi nuk ka pasur gjashtëdhjetë 60 ditë në dispozicion, brenda të cilës periudhë duhej përfunduar procedura për zgjedhjen e presidentit”, u tha në aktgjykimin e 25 marsit.

Sipas Gjykatës Kushtetuese procedura për zgjedhjen e presidentit, “që nuk mund të zgjasë më shumë se 60 ditë”, duhet të përfundojë “ jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual”.

Sipas Kushtetutës, presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para apo me 61 vota në rundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mundë të mbahet.

Presidentja aktuale, Vjosa Osmani, përfundon mandatin e saj pesëvjeçar në krye të shtetit më 5 prill.

Vetë Osmani e synonte edhe një mandat të dytë, mirëpo ajo nuk gëzoi mbështetjen e partive.

Donika Gërvalla: Askush nuk mund të jetë mbi ligjin, dhe askush nuk guxon të përfitojë pasuri që nuk mund ta justifikojë

Askush nuk mund të jetë mbi ligjin, dhe askush nuk guxon të përfitojë pasuri që nuk mund ta justifikojë. Pas miratimit në Qeveri të Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, së bashku me Kryeministrin Albin Kurti mbajtëm konferencë për media. Rëndësia e këtij projektligji qëndron në vendosjen e mekanizmave të qartë për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, si dhe në forcimin e sundimit të ligjit dhe llogaridhënies.

***

Fjala ime e plotë në konferencën për media pas mbledhjes së 7-të të Qeverisë

***

Të nderuar përfaqësues të mediave,

Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,

Sot e votuam, siç e theksoi edhe Kryeministri, Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, i cili në fakt përbën një prej shtyllave kryesore të reformës së thellë për të cilën jemi zotuar në fushën e Drejtësisë.

Ky Projektligj, i cili synon themelimin e një mekanizmi të veçantë i cili është Byroja Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, të cilën për herë të parë e patëm miratuar në Qeveri në dhjetor 2021, pra gjatë vitit të parë të mandatit të Qeverisë Kurti 2.

Projektligjit i patë paraprirë në prill 2021, pra më pak se 1 muaj pas marrjes së detyrës si Qeveri, Koncept-Dokumenti në këtë fushë.

Më lejoni ta shfrytëzoj këtë mundësi që të falënderoj ish-Ministren e Drejtësisë, Kryetaren e tashme të Kuvendit, znj. Albulena Haxhiu, dhe ekipin e saj për punën kolosale në këtë fushë.

Pra, nisma e tillë nuk është e re, është një rrugëtim maratonik pothuajse 5 vjeçar, rezultat i një procesi disa vjeçar, në kuadër të reformave për forcimin e sundimit të ligjit dhe rritjen e efektivitetit në luftën kundër korrupsionit.

Projektligji ndërkohë ka marrë tre opinione të Komisionit të Venedikut dhe dy aktgjykime të Gjykatës Kushtetuese.

Por, të kthehemi pak prapa në kohë. Pas miratimit të tij në Qeveri në vitin 2021, me t’u proceduar në Kuvend, atë kohë Kryetari i Kuvendit, z. Glauk Konjufuca, patë marrë parasysh rëndësinë e këtij Projektligji, kishte dërguar kërkesën për opinion në Komisionin e Venedikut. Ky veprim i përgjegjshëm institucional tregon qasjen serioze të Republikës së Kosovës për forcimin e shtetit ligjor dhe për trajtimin dhe harmonizimin e nismës së tillë me standardet evropiane.

Komisioni i Venedikut, në Opinionin e parë të datës 20 qershor 2022, e pati konfirmuar se konfiskimi civil pa aktgjykim dënues penal është i pranueshëm në parim dhe përputhet me praktikat evropiane, por patë kërkuar atëherë qartësi më të madhe në qëllimin publik të ligjit, garanci të forta për pavarësinë e institucionit, standard të qartë prove dhe mbrojtje efektive të të drejtave themelore.

Këto rekomandime janë reflektuar në tekstin e Projektligjit. Po ashtu, gjatë gjithë këtij procesi, Projektligji është punuar në bashkëpunim të ngushtë me partnerë ndërkombëtarë, duke përfshirë konsultime teknike dhe analiza krahasimore për të siguruar që dispozitat të jenë të zbatueshme, proporcionale dhe të mbrojtura me kushtetutë.

Pas integrimit të rekomandimeve të Komisionit të Venedikut, Ligji u dërgua në Kuvend dhe u miratua nga Kuvendi më 9 shkurt 2023.

Megjithatë, në Gjykatën Kushtetuese u dërgua nga ana e disa deputetëve të opozitës dhe qëndroi një vit e 5 muaj deri në korrik 2024, dhe pas gjithë kësaj kohe të gjatë Gjykata Kushtetuese e rrëzoi këtë ligj.

Por, keni parasysh Gjykata nuk e rrëzoi konceptin e konfiskimit civil si të tillë, pikërisht aty ku ishin përqendruar kritikat më të forta të kundërshtarëve të ligjit. Përkundrazi, ajo konfirmoi se konfiskimi civil është një mjet legjitim për mbrojtjen e interesit publik, por kërkoi qartësi më të madhe në dispozita, proporcionalitet në ndërhyrje dhe respektim strikt të ndarjes së pushteteve.

Pas marrjes së Aktgjykimit, Projektligji nuk është hartuar nga e para, por janë rishikuar dhe korrigjuar dispozitat konkrete për të cilat Gjykata Kushtetuese mendonte të ketë konstatuar mospërputhje.

Çështjet kryesore të adresuara përfshijnë fushëveprimin dhe retroaktivitetin e ligjit, pastaj nevojën për qartësi në lidhje me periudhat kohore brenda të cilave Byroja Shtetërore mund të verifikojë pasurinë e fituar, por gjithashtu përfshin edhe përbërjen e Komisionit Mbikëqyrës, në dritën e garantimit dhe respektimit të parimit të ndarjes së pushteteve.

Edhe pse i miratuar disa herë, na duhet ta dërgojmë përsëri për votim në Kuvend si pasojë e Aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese të datës 9 janar 2026, i cili ka shfuqizuar ligjin për shkaqe procedurale, i miratuar në Kuvend me 5 janar 2024.

Si rrjedhojë, më lejoni që në mënyrë të përmbledhur dhe të qartë, ta paraqes edhe një herë strukturën dhe qëllimin e tij pas të gjitha ndërhyrjeve dhe rishikimeve që janë bërë.

– Objektivat e këtij ligji janë të qarta. Ligji krijon një mekanizëm funksional dhe kushtetues për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme të zyrtarëve publikë. Ai nuk synon të zëvendësojë procedurat penale dhe as të krijojë një strukturë paralele me Prokurorinë apo Gjykatat. Përkundrazi ndërton një proces civil të kontrolluar plotësisht nga Gjykata ku Byroja ka rol përgatitor dhe analitik: mbledh, verifikon dhe paraqet provat, por nuk merr vendime për konfiskim. Vendimin përfundimtar e merr ekskluzivisht Gjykata me garanci të plota procedurale dhe nëse konstatohet disproporcion i pajustifikuar i pasurisë, konfiskimi bëhet vetëm me një vendim gjyqësor.

– Në thelb, ky ligj synon të krijoj mekanizëm të qëndrueshëm llogaridhënieje, duke adresuar rastet kur pasuria e zyrtarëve publikë nuk përputhet me të hyrat e tyre të ligjshme.

– Ai vendos theksin te analiza financiare, te standardi civil i provës dhe te roli përfundimtar i Gjykatës. Në këtë mënyrë ndërtohet një balancë e qartë mes interesit publik për të luftuar korrupsionin dhe detyrimin për të respektuar të drejtat themelore dhe garancitë procedurale.

Ju faleminderit!

Kurti paralajmëron takime me opozitën për zgjedhjen e presidentit

Radio Evropa e Lirë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar se do të ftojë në takime liderët e partive opozitare, në përpjekje për të siguruar votat e nevojshme për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

Ai tha se deri më tani nuk ka pasur kohë për të zhvilluar konsultime të brendshme lidhur me këto takime për shkak të një vizite në Paris të Francës. Por, ai shtoi se ato do të ndodhin së shpejti.

“Do të bëj ftesa për takime për kryetarët e partive opozitare që të shohim se cilat janë rrugët që ta arrijmë numrin prej së paku 80 deputetëve”, tha Kurti.

Kurti tha se konsultimet e brendshme do t’i zhvillojë sot dhe nesër e pastaj do të vijnë ftesat për opozitën.

I pyetur se a do të tërhiqen kandidaturat e ministrit të Jashtëm, Glauk Konjufcës, dhe deputetes së LVV-së, Fatmire Kollçakut, për postin e presidentit, Kurti tha se “do të shihet se çka është e mundur ligjërisht”.

Sipas tij, për të qenë i sigurt procesi i zgjedhjes së presidentit, nevojitet një mbështetje edhe më e gjerë në Kuvend.

“Duhet të jemi rreth 85 që të jemi të sigurt që ta zgjedhim presidentin aty dhe për këtë do të bëj edhe ftesa dhe do të zhvilloj edhe takime”, theksoi ai.

Kurti nuk dha detaje se çfarë ofertash konkrete mund të paraqiten në këto takime, duke shtuar se kjo do të bëhet e ditur vetëm pasi të zhvillohen ato.

Deklaratat e Kurtit vijnë në një kohë kur procesi për zgjedhjen e presidentit është futur në një afat të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.

Më 25 mars, Kushtetuesja vendosi se deputetët kanë edhe 34 ditë kohë për ta zgjedhur presidentin e ri, përkatësisht deri më 28 prill. Nëse kjo nuk ndodh, vendi shkon automatikisht në zgjedhje të reja.

Takime të tilla mes Kurtit dhe opozitës janë paralajmëruar edhe para seancës së 5 marsit, kur Kuvendi dështoi ta zgjedhë presidentin për shkak të mungesës së kuorumit. Madje, kryeministri kishte dërguar ftesa për takim edhe gjatë kohës kur çështja ishte në Gjykatën Kushtetuese.

Megjithatë, liderët e partive opozitare kishin refuzuar të takoheshin në atë fazë, duke theksuar se preferonin të prisnin vendimin e Kushtetueses përpara se të hynin në bisedime politike.

Çështja përfundoi në Gjykatën Kushtetuese pasi presidentja Vjosa Osmani kishte dekretuar shpërndarjen e Kuvendit më 6 mars, një ditë pas dështimit të zgjedhjes së presidentit. Gjykata vlerësoi se ky dekret nuk ka prodhuar efekt juridik.

Ndërkohë, të premten, kryeparlamentarja Albulena Haxhiu tha se seanca e 5 marsit nuk është mbyllur dhe do të vazhdojë sapo të krijohen kushtet për votim.

Aktualisht, Lëvizja Vetëvendosje nuk i ka votat e mjaftueshme për ta zgjedhur e vetme presidentin. Për këtë proces nevojiten të paktën 80 deputetë të pranishëm në sallë dhe dy të tretat e votave në dy rundet e para, ndërsa në rundin e tretë kërkohen 61 vota.

Partitë opozitare kanë theksuar se përgjegjësia kryesore për sigurimin e shumicës bie mbi partinë në pushtet, ndërsa kanë kërkuar marrëveshje politike për tejkalimin e situatës.

Zgjedhja e presidentit duhet të përfundojë jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentes aktuale, Vjosa Osmani, e cila përmbyll mandatin e saj më 5 prill.

Vetë Osmani e synonte edhe një mandat të dytë, mirëpo ajo nuk gëzoi mbështetjen e partive.

Për partinë në pushtet, ajo nuk i kishte votat e nevojshme, ndërsa për partitë e tjera ajo nuk e ka personifikuar unitetin e nevojshëm që i duhet figurës së presidentit.

Nëse palët nuk arrijnë marrëveshje brenda afatit të caktuar, Kosova rrezikon të hyjë në një cikël të ri zgjedhjesh, vetëm pak kohë pas përfundimit të atyre të fundit.

Sir Noel Malcolm: Libri i Shkëlzen Gashit “Masakrat në Kosovë 1998-1999” do të vlerësohet lart nga historianët, por duhet të lexohet nga të gjithë juristët, diplomatët dhe politikanët në Kosovë dhe jashtë saj

“Sir Noel Malcolm: Libri i Shkëlzen Gashit “Masakrat në Kosovë 1998-1999″ do të vlerësohet lart nga historianët, por duhet të lexohet nga të gjithë juristët, diplomatët dhe politikanët në Kosovë dhe jashtë saj”
—-
Historiani dhe akademiku i shquar britanik Sir Noel Malcolm, një nga njohës dhe ekspertët më të mirë me famë botërore të historisë së Ballkanit, që njihet gjërësisht për punimet e tij me vlera të pakundërshtueshme shkencore, autor edhe i librave “Kosova: Një Histori e Shkurtër” (1998) dhe “Bosnja: Një Histori e Shkurtër”  ka shprehur mendimin e tij shumë vlerësues për botimin e librit “Masakrat 1998-1999” me autor Shkëlzen Gashi që sjell me fakte dëshmitare krimet monstruoze të makinerisë kriminale të Serbisë së kohës së Milosheviçit.
Voal.ch po sjell një theks të këtij vlerësimi si më poshtë:

Më 31 Maj 1999 makineria kriminale serbe masakroi gjithë Familjen Gërxhaliu, midis tyre 5 fëmijë

FAMILJA GËRXHALIU

Në mëngjesin e datës 31 maj 1999, forcat sërbe hynë shtëpinë e Selatin Gërxhaliut (49) në fshatin Studime të Vushtrrisë, me ç’rast vranë nënën e Selatinit, Salihen (74), bashkëshorten Fexhrijen (39), pesë fëmijët (Sabahudinin, Myberanë, Abdurrahmanin, Mexhitin e Muharremin), si dhe kunatën Sofijen (35), me të birin, Saferin. Më pas pjesëtarët e këtyre forcave e nxorën Selatinin me djalin e madh, Shabanin (16), dhe djalin e axhës së tij, Xhemailin (62) dhe i ekzekutuan rreth një kilometër larg shtëpisë.

Salih Gërxhaliu, me të dëgjuar se të afërmit i ishin vra, kishte shkuar në vendin e ngjarjes. Në dëshminë e dhënë fill pas luftës, thotë:

«Kur hyna në shpi, nantë të vramë i gjeta në dhomë. Prej dere e pashë Salihen të shtrime me duer para kresë. Dy djem e dy gra ishin afër Salihes. U dukshin si me konë tue fjetë. Djemtë ishin të ulun me kambë teposhtë. Thashë me veti: ‘Allah, Allah, krejt i paskan vra, të nantit.’… Thashë ma mirë me pritë, e me thirrë ndoj polici… Erdhën policia me nji gjyqtare hetuese edhe fotografuen… Kur erdhën, ajo gjyqtarja hetuese, prej Malit të Zi ish, nisi me kajtë. Nji polic e pyeti çka ka që po kan. I tha: ‘Çka kanë ba këta fëmijë?’. Po njani prej policëve, Dragan Petrović, tha: ‘Luftë asht, shoq.’ Ia ktheva: ‘Në luftë zakonisht janë burrat kundër burrave, kështu që shko në mal, lufto me UÇK-në. Këta janë fëmijë që janë konë tue fjetë.’ Po Petrović-i veç më kqyri. Mbasi fotografuen, na thanë mos me i varrosë, se dojshin me pru njerëz prej Mitrovice. U nisën me kerr për Vushtrri, po mandej prap u kthyen, e na thanë me i varrosë prapseprap».

Për këtë masakër deri më sot nuk është dënuar, e madje as gjykuar, askush.

Në foto: Selatin Gërxhaliu me fëmijët e vet. Të gjithë të vrarë nga forcat sërbe.

© Familja Gërxhaliu

Marrë nga libri “Masakrat në Kosovë 1998-99” me autor Shkëlzen Gashin

Siguria e Kosovës nën kërcënimin e raketave me rreze të gjatë

Pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës gjatë një stërvitjeje ushtarake.

 

Valona Tela

Diego Garcia në Oqeanin Indian ndodhet rreth 4.000 kilometra larg Iranit. Përpjekja për ta goditur me raketa ka ngritur alarmin për fuqinë raketore të këtij vendi dhe ka shtuar frikën se ai mund të synojë pjesë të mëdha të Evropës – teorikisht edhe Kosovën.

Raketat u nisën më 20 mars drejt një baze ushtarake të SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar – njëra dështoi, ndërsa tjetra u rrëzua. Ajo që arriti të fluturonte, përshkoi rreth 3.000 kilometra nga baza e nisjes.

Ushtria izraelite tha se Irani ka lëshuar raketa balistike me rreze të gjatë drejt një objektivi amerikan, duke dëshmuar kapacitete prej rreth 4.000 kilometrash – mjaftueshëm për të vënë në shënjestër edhe kryeqytetet evropiane.

“Këto raketa nuk kanë për qëllim të godasin Izraelin. Rrezja e tyre arrin kryeqytetet evropiane. Berlini, Parisi dhe Roma janë brenda rrezes së kërcënimit të drejtpërdrejtë”, tha shefi i ushtrisë izraelite, Eyal Zamir.

Instituti për Studime të Luftës (ISW), me seli në Uashington, vlerësoi se kjo ishte përpjekja më e largët ndonjëherë e Iranit për të goditur një objektiv me raketa.

“Sulmi tregoi se raketat iraniane mund të arrijnë përtej kufirit prej 2.000 kilometrash, të cilin regjimi ka thënë prej kohësh se e ka vendosur vetë si limit… Sulmi i tentuar përmbys disa nga supozimet për programin raketor të Iranit, veçanërisht sa i përket kërcënimit që ai mund të paraqesë për Evropën”, sipas ISW-së.

Deri më tani besohej se Irani nuk kishte kapacitet të godiste në distanca të tilla, ndërsa vetë regjimi pretendonte se kishte vendosur atë kufi prej 2.000 kilometrash në programin e tij të raketave balistike.

Sipas vlerësimeve të inteligjencës amerikane, Irani disponon rreth 14 lloje të ndryshme raketash të tilla – të pajisura me koka luftarake bërthamore ose konvencionale.

E kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, NATO-ja nuk komentoi sulmet ndaj Diego Garcias dhe kapacitetet raketore të Iranit, duke iu referuar vetëm deklaratës së mëparshme për rastin kur Turqia interceptoi me sukses sulme të ngjashme nga Irani.

Ndërsa aftësitë e raketave iraniane vazhdojnë të shqyrtohen, një zyrtar i BE-së tha për Radion Evropa e Lirë, në kushte anonimiteti, se ky është një dimension i ri i luftës me Iranin dhe se mbrojtja ajrore e kontinentit – katër vjet pas nisjes së luftës në Ukrainë – është mjaft e varfëruar. Deri më tani, BE-ja i ka ndarë Ukrainës mbi 70 miliardë euro ndihmë ushtarake për të luftuar pushtimin rus.

Mark Cancian, kolonel i pensionuar i Marinës amerikane, aktualisht këshilltar i lartë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington, e konsideron kërcënimin ndaj Evropës si “shumë real”.

Sipas tij, bazuar në rrezen e demonstruar të lëshimeve të kaluara raketore, Irani mund të godasë disa pjesë të Evropës Juglindore. Ai thotë se Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja e kanë parashikuar këtë rrezik prej kohësh dhe kanë ndërtuar sisteme mbrojtëse në Poloni dhe Rumani, por paralajmëron se Evropa ende nuk është plotësisht e përgatitur.

“… sepse, kërcënimi është relativisht i ri. Hapat e parë për mbrojtje kundër Iranit janë ndërmarrë, ndërkohë që po zhvillohen kapacitete në lindje për mbrojtje kundër raketave dhe dronëve rusë. Polonia ka ndërtuar një ushtri dhe sistem të mbrojtjes ajrore shumë të fuqishëm, ndërsa hapa të ngjashëm po ndërmerren edhe nga vendet baltike”, thotë Cancian për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

Më skeptik për kapacitetet e Iranit për të goditur drejtpërdrejt Evropën shprehet Gordan Akrap, ish-zyrtar i komunitetit të inteligjencës kroate, tani ligjëruses në Universitetin e Mbrojtjes dhe Sigurisë “Dr. Franjo Tugjman”.

“Së pari, duhet konfirmuar nëse Irani ka raketa që mund të godasin objektiva në distanca prej 4-5 mijë kilometrash. Edhe nëse i ka ato mundësi – duke marrë parasysh flotën e madhe në Mesdhe dhe shpërndarjen e sistemeve antiraketore – jam i bindur se ato do të shkatërroheshin gjatë fazës së afrimit, pasi do të duhej të kalonin mbi Izraelin ose Turqinë. Me shumë gjasa, do të neutralizoheshin në ato hapësira”, thotë Akrap për Exposenë.

Në këtë kontekst, Kosova përfshihet gjithashtu në analizë, për shkak të pranisë së saj ndërkombëtare. Vendi strehon misionin paqeruajtës të NATO-s, KFOR, si dhe bazën më të madhe amerikane në Ballkan, Bondsteel. Sipas të dy ekspertëve, kjo e bën Kosovën shënjestër potenciale, por jo të pambrojtur.

Koloneli Cancian thekson se Kosova përfshihet brenda mbulimit të sistemit antiraketor të NATO-s në Rumani dhe mund ta forcojë mbrojtjen e saj duke bashkëpunuar ngushtë me aleancën.

“Shumë vende kanë marrëdhënie me NATO-n që u mundësojnë të koordinojnë gjëra të tilla si mbrojtja ajrore. Natyrisht, suedezët dhe finlandezët i kanë pasur këto marrëdhënie shumë vite para se të bëheshin anëtarë. Kështu që, është e mundur ta vendosësh një vend të vogël nën ombrellën e NATO-s pa qenë domosdoshmërisht anëtar i saj”, thotë Cancian.

NATO-ja, përkatësisht forca e saj KFOR, mbikëqyr hapësirën e ulët ajrore të Kosovës, ndërsa hapësira e lartë – ajo mbi 6.200 metra – është nën kontrollin e Hungarisë – vend anëtar i NATO-s.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka premtuar se gjatë mandatit të ri qeverisës, do të ndahen mbi 1 miliard euro për Forcën e Sigurisë së Kosovës, e cila posedon tashmë armë të blera nga aleatët e NATO-s.

Akrap pajtohet se Kosova përfiton nga marrëdhënia e saj me NATO-n, por sugjeron se e ardhmja e sigurisë nuk mund të mbështetet vetëm te strukturat e mëdha si Bashkimi Evropian dhe NATO-ja, për shkak të sfidave të mëdha në marrjen e vendimeve. Ai thekson se forma më fleksibile të bashkëpunimit, si marrëveshja në mbrojtje e Kosovës me Shqipërinë dhe Kroacinë, mund t’i ndihmojnë asaj të përgatitet më mirë për sfidat e ardhshme.

“Askush nuk mund të dalë më fitues nga asnjë konflikt ose luftë, nëse vepron i vetëm. Prandaj, duhet të ndërtohen partneritete, si në nivelin ndërkombëtar, ashtu edhe në atë të brendshëm. Përçarjet nuk i shërbejnë askujt, përveç sulmuesve”, thotë Akrap.

Kosova nuk ka marrëdhënie diplomatike me Iranin, i cili është rreshtuar pranë Serbisë kundër njohjes së pavarësisë së saj. Disa qytetarë serbë kanë shpërndarë në rrjete sociale koordinatat e bazës amerikane Bondsteel, duke i bërë thirrje Iranit që ta sulmojë atë.

NATO-ja i ka thënë Radios Evropa e Lirë se KFOR-i vazhdon të sigurojë ambient të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës, ndërsa autoritetet e vendit kanë thënë se po monitorojnë nga afër implikimet e mundshme të luftës, por nuk kanë sqaruar më shumë.

Cancian argumenton se Kosova dhe Evropa janë tashmë të përfshira indirekt në këtë luftë, përmes ndërprerjeve të energjisë, bllokimit të dërgesave të naftës në Ngushticën e Hormuzit dhe pasigurisë ekonomike, ndërsa, në vlerësimin e Akrapit, këto vende duhet të shqetësohen me të drejtë edhe nga aksionet e mundshme terroriste nga individë apo rrjete të lidhura me Iranin.

“Nuk duhet të harrojmë faktin se shumë pjesëtarë të organizatave të ndryshme shiite i kanë sulmuar caqet perëndimore dhe izraelite gjetiu nëpër botë”, thotë Akrap.

Konflikti në Iran shpërtheu më 28 shkurt, kur Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën sulme të përbashkëta për të frenuar programin bërthamor të Republikës Islamike. Në kundërpërgjigje, Irani dhe aleatët e tij goditën Izraelin dhe objektiva të SHBA-së në vendet aleate – nga Arabia Saudite deri në Qipro.

Cancian thotë se sulmi ndaj Diego Garcias ishte një mesazh i Iranit se ka ende “letra për të luajtur” edhe pas disa javësh luftë.

“Me fjalë të tjera, ai godet vende që strehojnë baza amerikane ose që e lejojnë SHBA-në t’i përdorë bazat e saj në territorin e tyre”, thotë ai.

Sipas tij, askush nuk mund ta dijë me siguri se sa do të zgjasë kjo luftë dhe shmang çdo parashikim të qartë. Ai thekson se negociatat e mundshme që përfliten, janë jashtëzakonisht të ndërlikuara, pasi gjashtë palë do të duhet të bien dakord: SHBA-ja, Izraeli, ndërmjetësit, Garda Revolucionare e Iranit, shtetet e Gjirit dhe aktorët kryesorë globalë – Evropa dhe Japonia.

Në pak fjalë, ekspertët e përshkruajnë situatën si një kërcënim në evolucion, me gjithnjë e më shumë shtete që zhvillojnë kapacitete për të goditur në distanca të mëdha. Kjo nënkupton që Evropa, sipas tyre, duhet të përgatitet për një botë ku kërcënimet nuk janë më të kufizuara gjeografikisht.

Në këtë kuadër, Akrap nënvizon se Kosova duhet të veprojë me mençuri, të ndjekë politika të përgjegjshme dhe të pranojë kompromise strategjike, që do t’i avanconin marrëdhëniet e saj me BE-në dhe me NATO-n.

Kosova nuk ia fal Edi Ramës – Ja si kanë reaguar shqiptarët e Kosovës duke e detyruar Edi Ramën ta përditësojë hartën e Kosovës

 

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i provokoi rishtas sot Shqiptarët, duke e vendosur hartën e Kosovës në kontekstin e krahinës, në një kontekst sipas shijeve të Milosheviçit, kur NATO i dha fund gonocidit dhe spestrimit etnik të makinerisë kriminale të Serbisë dhe Perëndimi do ta njihte shtet të të lirë, sovran e të pavarur.

Edi Rama u përball me reagime shumë të forta të shqiptarëve të Kosovës, disa prej të cilave po i sjellim për lexuesin, duke e detyruar që ta përditësojë menjëherë hartën.

Do të mbesë proverbiale ajo thënia e Donika Gërvallës se Shqiptarët e Kosovës nuk ia falin kurrë Edi Ramës!

SHBA-ja dhe Kosova bisedojnë për zgjerimin e mundësive në fushën e energjisë dhe minierave

E ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati. Fotografi nga arkivi.

 

 

Radio Evropa e Lirë

E ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati, ka biseduar me ministren e Ekonomisë të Kosovës, Artane Rizvanolli, për zgjerimin e mundësive mes dy shteteve në fushën e energjisë dhe minierave.

“Ajo riktheksoi angazhimin e Ambasadës për të krijuar mundësi për bizneset amerikane, veçmas të atyre që operojnë në sektorin e gazit të lëngshëm natyror dhe atë të minierave. Mezi presim vazhdimin e bashkëpunimit në fushat që promovojnë prosperitet të ndërsjellë”, shkroi Ambasada në një postim në rrjetet sociale.

Aktualisht, Kosova nuk ka rrjet gazsjellësish për shpërndarjen e gazit natyror e as sistem të ndërtuar institucional për menaxhimin e këtij sektori.

Për furnizim me energji elektrike, vendi mbetet i varur nga qymyri, pasi rreth 90 për qind e energjisë elektrike prodhohet nga termocentralet Kosova A dhe B, që janë të vjetra.

Së voni, ministrja Rizvanolli shprehu gatishmëri për furnizim me gaz nga SHBA-ja gjatë Samitit Trans-Atlantik për Sigurinë e Gazit, të mbajtur në Uashington më 24 shkurt.

Gjatë samitit, Rizvanolli tha se për Kosovën përballueshmëria e energjisë mbetet prioritet kyç dhe shteti ndjek një qasje të dyfishtë: “rehabilitimin e kapaciteteve ekzistuese dhe eksplorimin e teknologjive të reja, përfshirë gazifikimin e thëngjillit, duke shprehur gatishmëri për bashkëpunim me Qeverinë dhe kompanitë amerikane”.

Ndërkaq, në Strategjinë e Energjisë të Kosovës për periudhën 2022-2031 parashikohet mundësia që vendi të lidhet me rrjetet rajonale të gazit në të ardhmen.

Megjithatë, për shkak se vendi nuk ka dalje në det, është më e vështirë që të ndërtojë infrastrukturë të gazit pa bashkëpunim me shtetet fqinje.

Një nga opsionet është lidhja me infrastrukturën e planifikuar në Shqipëri ose Greqi, veçanërisht përmes gazsjellësit TAP, ose përmes terminalit të gazit të lëngshëm në Vlorë.

SHBA-ja, ndërkaq, synon ta rrisë praninë në tregun evropian të gazit përmes të ashtuquajturit Korridori Vertikal, duke përdorur ose zgjeruar infrastrukturën ekzistuese energjetike në rajon.

Edhe pse nuk ka rrjet të gazsjellësve, gazi natyror përdoret në Kosovë në forma të tjera.

Ai importohet kryesisht në bombola ose cisterna dhe përdoret në sektorin e gastronomisë, për ngrohjen e disa shtëpive dhe në një masë më të vogël si karburant për automjete.

Këto forma të gazit janë zakonisht gaz i lëngshëm i naftës, i cili nuk lidhet me rrjete të mëdha të furnizimit energjetik.

Sipas të dhënave që Dogana e Kosovës ia dërgoi Radios Evropa e Lirë më herët gjatë këtij muaji, vlera totale e gazit të importuar kishte arritur në 19 milionë euro gjatë vitit të kaluar. Rreth 2.5 milionë euro gaz janë importuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mbi dy milionë euro nga Arabia Saudite, ndërsa pjesa tjetër nga vende si Kuvajti, Algjeria dhe disa shtete të Evropës.

Tema e gazit në Kosovë daton që sa vjet. Më 2021, Qeveria e Kosovës kishte vendosur që të mos e çonte përpara projektin për ndërtimin e infrastrukturës së gazit në Kosovë, të financuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit e Qeverisë së SHBA-së (MCC).

Një arsye për mos çuar përpara projektin, Rizvanolli atëbotë kishte përmendur edhe çështjen e kostos së projektit.

Betohen nëntë anëtarët e rinj të KQZ-së

Anëtarët e rinj të KQZ-së duke bërë betimin para presidetes së Kosovës, Vjosa Osmani.

 

Radio Evropa e Lirë

Nëntë anëtarët e rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë bërë betimin para presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani. KQZ-ja ka dhjetë anëtarë dhe kryetarin e saj, dhe për anëtarin e fundit, Osmani i është drejtuar për sqarim Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Anëtarët që dhanë betimin janë: Alban Krasniqi dhe Violeta Salihu nga Lëvizja Vetëvendosje, Ilir Gashi nga Partia Demokratike e Kosovës, Sami Hamiti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Muharrem Nitaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Stefan Filipoviq nga Lista Serbe, Mufera Sinik nga partia turke KDTP, Delvir Tairi nga Koalicioni Vakat dhe Shukrije Stolla nga Partia Socialdemokrate e Ashaklinjve.

“Presidentja Osmani u uroi suksese anëtarëve të rinj, duke vlerësuar faktin se sistemi jonë zgjedhor gjithmonë i ka kontribuar demokracisë në vend”, u tha në njoftimin e Presidencës së Kosovës.

Çështja në Kushtetuese

Më 24 mars, Osmani iu drejtua Gjykatës Kushtetuese për sqarim lidhur me emërimin e anëtarëve të KQZ-së, pasi LVV-ja kërkoi tre anëtarë, ndërkaq PDK-ja dy.

Presidenca tha se partitë kanë bërë më shumë propozime seç parashihet me Kushtetutë.

“Në rrethanat aktuale janë bërë më shumë propozime nga grupet parlamentare sesa që parashikohet me Kushtetutë, prandaj duhet ta sqarojë këtë çështje Gjykata para se të vijohet tutje”, tha Presidenca.

Një ditë më vonë, Osmani tha se kjo çështje nuk është sqaruar nga Kushtetuesja, prandaj sapo të sqarohet “vijohet me emërtimet”.

Demokracia në Veprim (DnV), koalicion i organizatave joqeveritare që monitoron procesin zgjedhor, kundërshtoi kërkesën e Osmanit drejtuar Kushtetueses dhe më 25 mars tha se kjo kërkesë “vonon kompletimin” e KQZ-së.

DnV tha se edhe në vendimet e mëparshëm të Kushtetueses, pas zgjedhjeve të vitit 2021, përbërja e KQZ-së është bazuar mbi modelin strikt të përfaqësimit, duke “kufizuar përfaqësimin e subjektit më të madh në dy anëtarë, pavarësisht rezultatit zgjedhor”.

“Në këtë kontekst, trajtimi i kësaj çështjeje si dilemë kushtetuese dhe referimi i saj në Gjykatën Kushtetuese nuk kontribuon në qartësi shtesë, por prodhon vonesa në një proces që kërkon vendimmarrje të drejtpërdrejtë. Mosplotësimi i përbërjes së plotë të KQZ-së cenon konfigurimin e saj kushtetues prej 11 anëtarëve, duke ndikuar njëkohësisht në funksionimin dhe vendimmarrjen e saj”, tha DnV-ja.

Më 2021, LVV-ja kishte fituar mbi 50 për qind të votave, dhe ky subjekt kishte të drejtë të propozonte vetëm dy anëtarë në KQZ.

Si emërohen anëtarët e KQZ-së?

KQZ-ja është një organ i përhershëm i pavarur dhe është përgjegjës për organizimin dhe zbatimin e zgjedhjeve në Kosovë. KQZ-ja ka kryetarin dhe dhjetë anëtarë të tjerë.

Sipas Kushtetutës, gjashtë anëtarë emërohen nga pjesëtarët e gjashtë grupeve më të mëdha parlamentare shqiptare, ndërsa një anëtar emërohet nga deputetët të cilët mbajnë vende e garantuara për komunitetin serb, dhe tre anëtarë nga deputetët të cilët mbajnë vende të garantuara për komunitetet e tjera joshumicë.

Nëse në Kuvend janë të përfaqësuara më pak grupe, grupi a grupet më të mëdha mund të emërojnë anëtarë shtesë, sipas Kushtetutës.

Presidentja Osmani u kishte kërkuar partive parlamentare më 9 mars t’i propozonin kandidatët për anëtarë të KQZ-së.

Ato kishin kohë deri më 16 mars që t’i përgjigjen kërkesës së saj, duke i dhënë presidentes pesë ditë kohë për t’i emëruar apo jo të propozuarit.

Sipas Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, emërimi i anëtarëve të KQZ-së duhet të bëhet jo më vonë se 60 ditë pas certifikimit të rezultateve.

Rezultatet e zgjedhjeve të dhjetorit janë certifikuar më 9 shkurt.

Haxhiu: Nevojiten diskutime serioze për çështjen e presidentit

Radio Evropa e Lirë

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se nevojiten diskutime serioze nëse partitë duan që përnjëmend ta zgjedhin presidentin e ri të shtetit.

Haxhiu, që vjen nga radhët e partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, tha se vendi nuk ka nevojë të shkojë në zgjedhje sepse qytetarët kanë mbajtur votime në dhjetor.

“Nevojiten diskutime serioze nëse duam apo nuk duam përnjëmend ta zgjedhim presidentin. Për faktin se është e rëndësishme që ajo që thuhet në takime të mbyllura të jetë qëndrim real dhe jo vetëm diskutim sa për të thënë”, tha Haxhiu për mediat më 27 mars.

Më 25 mars, Gjykata Kushtetuese publikoi një aktgjykim, duke u thënë deputetëve se kanë edhe 34 ditë kohë për ta zgjedhur presidentin e ri, përkatësisht deri më 28 prill, në të kundërtën vendi shkon automatikisht në zgjedhje.

Çështja u dërgua në Kushtetuese nga Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti, pasi më 6 mars, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, nxori një dekret për shpërndarjen e Kuvendit, një ditë pasi deputetët dështuan të zgjidhnin paraardhësin e Osmanit. Kushtetuesja gjeti se dekreti i Osmanit nuk ka prodhuar ndonjë efekt juridik.

Kryeparlamentarja Haxhiu tha se seanca e 5 marsit nuk është mbyllur dhe ajo do të vazhdojë “sapo të krijohen kushtet”.

Haxhiu tha se kryeministri Kurti, njëherësh kreu i LVV-së, veçse ka kërkuar takime me subjektet opozitare.

Kurti u dërgoi ftesa krerëve të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike në kohën kur ende nuk ishte publikuar aktgjykimi. Të dy partitë u shprehën të gatshme për takim pas aktgjykimit, por që nga publikimi i aktgjykimit nuk është paralajmëruar ndonjë takim.

“Natyrisht që kërkesat për takime do të vazhdojnë, por në anën tjetër nevojitet edhe vullneti i palës tjetër. Grupi parlamentar i Vetëvendosjes më së shumti i ka 66 vota, por kjo është e pamjaftueshme për ta zgjedhur presidentin e vendit sepse nevojiten 80 vota në kuti të paktën në dy rundet e para. Në këtë pikë mendoj që është shumë i rëndësishëm kontributi i të gjitha palëve, por kontributi të jetë serioz sepse mendoj që pajtohemi që vendi nuk ka nevojë për zgjedhje të reja sepse zgjedhjet sapo i kemi përfunduar, qytetarët kanë folur, kanë dhënë mesazhin e tyre, prandaj kemi shumë punë për të bërë”, tha Haxhiu.

Më 5 mars, LVV-ja propozoi dy kandidatë për president, zëvendëskryeministrin, njëherësh kryediplomatin e Kosovës, Glauk Konjufcën, dhe deputeten Fatmire Kollçaku. Megjithatë, emrat e tyre nuk u hodhën në votim, pasi nuk kishte kuorum.

Çfarë tha Gjykata Kushtetuese?

Në aktgjykimin e saj, gjykata më e lartë në vend tha se Kuvendi i Kosovës shpërndahet në tri raste: nëse brenda 60 ditësh nga data e caktimit të mandatarit nga presidenti nuk formohet Qeveria, nëse për shpërndarjen e Kuvendit votojnë 2/3 e të gjithë deputetëve dhe nëse brenda 60 ditësh nga data e fillimit të procedurës së zgjedhjes, nuk zgjidhet presidenti i Kosovës.

“Gjykata marrë për bazë kontekstin specifik të rrethanave të konstituimit të Kuvendit më 11 shkurt 2026, vlerësoi se Kuvendi nuk ka pasur gjashtëdhjetë 60 ditë në dispozicion, brenda të cilës periudhë duhej përfunduar procedura për zgjedhjen e presidentit”, u tha në vendim të Kushtetueses.

Sipas Gjykatës Kushtetuese procedura për zgjedhjen e presidentit, “që nuk mund të zgjasë më shumë se 60 ditë”, duhet të përfundojë “ jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual”.

“Këto dy afate janë të ndërlidhura, në atë mënyrë që procedura duhet të zhvillohet brenda kufirit prej 60 ditësh dhe të përfundojë me zgjedhjen e presidentit jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual”, u tha në vendim.

Pas aktgjykimit, LVV-ja tha se ky moment duhet të shfrytëzohet “për reflektim dhe për angazhim të të zgjedhurve të popullit, në mënyrë që vendi të mos futet në një krizë të re dhe në një cikël të përsëritur zgjedhjesh”.

Nga PDK-ja thanë se e respektojnë vendimin dhe në ditët në vijim do të bëjnë publikë vendimet politike që do të ndërmarrin.

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se përgjegjësia kryesore për zgjedhjen e presidentit bie mbi LVV-në, duke shtuar se për këtë çështje duhet marrëveshje politike mes partive.

Presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para apo me 61 vota në rundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mundë të mbahet.

Presidentja aktuale, Vjosa Osmani, përfundon mandatin e saj pesëvjeçar në krye të shtetit më 5 prill.

Vetë Osmani e synonte edhe një mandat të dytë, mirëpo ajo nuk gëzoi mbështetjen e partive.

Për partinë në pushtet, ajo nuk i kishte votat e nevojshme, ndërsa për partitë e tjera ajo nuk e ka personifikuar unitetin e nevojshëm që i duhet figurës së presidentit.

Kurti në Francë, Vuçiq pretendon se kryeministri mund të kërkojë “shkuarjen e FSK-së” në veri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti francez, Emmanuel Macron. Fotografi nga arkivi.

 

Radio Evropa e Lirë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar të premten për vizitë zyrtare në Francë, ku pritet të takohet me presidentin Emmanuel Macron.

Qeveria e Kosovës nuk ka dhënë më shumë hollësi rreth këtij takimi.

Por, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka pretenduar të enjten mbrëma në televizionin Prva në Beograd, se kryeministri Kurti mund t’i kërkojë liderit francez plotësimin e ca kushteve “kundër popullit serb”.

Sipas presidentit serb, Kurti ka shkuar në Paris me “dy kërkesa”: që Serbisë t’i vendoset kusht për të mos përdorur kurrë armë kundër shqiptarëve, përkatësisht kundër Kosovës, dhe që NATO-ja të largohet nga zona tokësore e sigurisë, në mënyrë që Forca e Sigurisë së Kosovës të mund të shkojë në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe.

Vuçiq pretendon se “agjendën e Kurtit në Paris” e ka mësuar përmes “njerëzve tanë në rrethin e Kurtit”.

Mes tjerash, Vuçiq ka thënë se shpreson që NATO-ja “nuk do t’i mbështesë këto kërkesa dhe jam i sigurt që as Macron nuk do t’i mbështesë”.

“Ky do të ishte sulm i drejtpërdrejtë ndaj paqes, sulm i drejtpërdrejtë ndaj popullsisë sonë, ndaj gjithë Serbisë, dhe jam pothuajse i sigurt se kjo nuk do të ndodhë”, tha Vuçiq.

Radio Evropa e Lirë e ka pyetur Qeverinë e Kosovës për qëndrimin e saj lidhur me pretendimet e Vuçiqit, por nuk ka marrë ende përgjigje.

Shqetësimet e Kosovës për armatosjen e Serbisë dhe veriu

Pretendimet e Vuçiqit vijnë në një kohë kur autoritetet kosovare kanë shprehur shqetësim pasi Serbia bleu raketat balistike supersonike CM-400 nga Kina në fillim të muajit.

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, i tha Radios Evropa e Lirë më 13 mars se Serbia, përmes këtyre blerjeve, po shfaq “tendenca hegjemoniste” karshi vendeve fqinje.

Rreth një javë më vonë, Kurti e akuzoi Beogradin për shfaqje të “agresionit” pasi ushtria serbe kreu stërvitje më 19 mars në një fshat të banuar me shqiptarë etnikë në jug të Serbisë, në kufi me Kosovën.

Ai tha asokohe se “jemi thellësisht të shqetësuar me demonstrimin e pajustifikueshëm ushtarak të Serbisë, me helikopterë e parashutistë, në zonat e banuara me shqiptarë në Bujanoc, fare pranë kufirit me Kosovën”.

Por, misioni i NATO-s në Kosovë, i tha Radios Evropa e Lirë se ato stërvitjet nuk përbënin rrezik dhe se ishte njoftuar paraprakisht nga Beogradi se Forcat e Armatosura të Serbisë do të zhvillonin stërvitje të planifikuara në fshatin Muhovc, pranë kufirit jugor të Kosovës.

KFOR-i është përgjegjës për sigurinë e kufijve të Kosovës me Serbinë, ndërsa për pjesën tjetër të vijës kufitare është Policia e Kosovës.

Kosova dhe Serbia ndajnë një vijë kufitare të gjatë rreth 400 kilometra.

Forca e Sigurisë së Kosovës, FSK, nuk ka të drejtë të shkojë në veriun e banuar me shumicë serbe, pa e marrë pëlqimin paraprak të misionit paqeruajtës të NATO-s, bazuar në zotimin e vitit 2013 nga Qeveria e Kosovës ndaj NATO-s.

Ky angazhim, i dhënë përmes një letre nga ish-kryeministri Hashim Thaçi drejtuar sekretarit të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, mbetet në fuqi edhe sot, pavarësisht ndryshimeve në mandatin e FSK-së.

Hera e fundit kur FSK-ja ishte në veri, me pëlqimin e KFOR-it, ishte më 29 korrik të vitit 2025, në një operacion kur gjeti trupin e pajetë të një personi që kishte kërcyer nga ura në liqenin e Ujmanit.

FSK-ja është në proces të shndërrimit në ushtri, pas ndryshimeve ligjore të miratuara. Ky proces pritet të përmbyllet më 2028.

Antikushtetutshmëri pa emër: kur Gjykata flet, por pa zë Nga Dr. Sadri RAMABAJA

Vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës lidhur me dekretin e Presidentes së Republikës ka prodhuar një situatë juridikisht inerte, ndërkaq politikisht të debatueshme. Në thelb, Gjykata ka konstatuar se akti në fjalë nuk ka prodhuar efekte juridike — por pa e cilësuar atë në mënyrë të drejtpërdrejtë si akt antikushtetues. Dhe pikërisht këtu fillon problemi.

Në rrafshin formal, arsyetimi i Gjykatës qëndron: masa e përkohshme e vendosur në kohë e ka pezulluar dekretin, duke mos lejuar prodhimin e pasojave juridike, rrjedhimisht e ka shpallur nul.
Nga kjo perspektivë, Gjykata ka zgjedhur një rrugë procedurale, duke shmangur një deklarim të fortë mbi përmbajtjen e aktit. Një qasje e tillë nuk është e panjohur në jurisprudencën kushtetuese krahasuese, ku shpesh preferohet minimalizmi gjyqësor për të evituar përplasjet e drejtpërdrejta institucionale.
Gjykata Kushtetuese me këtë aktgjykim u dha deputetëve 34 ditë kohë për ta zgjedhur presidentin e ri. Në të kundërtën, Kuvendi shpërndahet vetvetiu, “ex constitutione”, dhe vendi shkon në zgjedhje të reja brenda 45 ditësh.

***

Çfarë do të ndodhte nëse një trup gjyqësor në një akt penal gjykon se X personi ka tentuar ta thejë bankën dhe të grabis paratë, por meqë sigurimi ka marrë masa aty për aty, ka evituar vjedhjen! Megjithatë akti penal cilësohet tentimvjedhje!

Në të drejtën penale, situata e tillë cilësohet si vepër klasike: edhe nëse pasoja nuk realizohet (p.sh. vjedhja nuk ndodh sepse ndërhyn sigurimi), akti kualifikohet si tentim. Pra, mungesa e pasojës nuk e zhduk paligjshmërinë e veprimit; përkundrazi, ajo vetëm e ndryshon formën e përgjegjësisë juridike. Në këtë kuptim, është më se e qartë, nëse një akt është materialisht në kundërshtim me normën, ndërhyrja që e ndalon nuk duhet ta ndryshojë kualifikimin e tij, por vetëm efektet.

Nëse e përkthejmë logjikën penale në këtë rast, del kjo:

  • dekreti = “veprimi”
  • masa e përkohshme = “ndërhyrja e sigurimit”
  • mungesa e efektit = “mungesa e vjedhjes së realizuar”

Dhe në këtë logjikë: akti do të duhej të cilësohej si një akt i pastër antikushtetues.
Kjo është arsyeja pse, në planin publik dhe politik, vendimi lexohet si antikushtetutshmëri pa emër.

Por në planin substancial, një akt që pezullohet dhe që në fund konsiderohet si i paaftë për të prodhuar efekte juridike, është — në thelb — një akt i papajtueshëm me rendin kushtetues. Me fjalë të tjera, kemi të bëjmë me një antikushtetutshmëri të nënkuptuar, por jo të deklaruar.

***

E qartë, Gjykata Kushtetuese në mungesë të guximit intelektual, është fokusuar vetëm tek mungesa e pasojës, duke shmangur qëllimshëm vlerësimin e objektivit dhe përmbajtjes së aktit.

Ky dualizëm midis përmbajtjes dhe formulimit prodhon një tension të dukshëm. Nga njëra anë, Gjykata ruan një gjuhë të kujdesshme dhe teknikisht të mbrojtshme; nga ana tjetër, ajo lë hapësirë për interpretime të shumëfishta në sferën publike dhe politike. Dhe në këtë boshllëk, diskursi politik vepron pa hezitim: akti etiketohet si antikushtetues, pavarësisht mungesës së një formulimi të tillë në vendim.

Kjo nuk është thjesht çështje terminologjie. Është çështje e qartësisë normative dhe e rolit që një gjykatë kushtetuese duhet të luajë në një rend demokratik. Gjykatat kushtetuese nuk janë vetëm arbitra teknikë të procedurave; ato janë edhe garantues të rendit kushtetues përmes standardeve të qarta dhe të artikuluara. Kur këto standarde zëvendësohen me formulime të tërthorta, krijohet një zonë gri që dobëson funksionin orientues të jurisprudencës.

Nga ana tjetër, nuk mund të injorohet konteksti politik. Në një sistem si ai i Kosovës, ku raportet ndërmjet institucioneve shpesh janë të tensionuara, një gjuhë e moderuar nga ana e Gjykatës mund të lexohet si përpjekje për të ruajtur ekuilibrin institucional, respektivisht për të krijuar terren për recidivistët kur ata janë emra me ndikim në jetën publike politike. Por kjo strategji ka një kosto: ajo rrezikon të perceptohet si mungesë vendosmërie, ose më keq, si një formë e tërthortë e konformizmit institucional.

Në rastin konkret kemi të bëjmë me një antikushtetutshmëri “të nënkuptuar” (implicit), por jo të deklaruar. Prandaj nëse kjo sjellje e Gjykatës Kushtetuese është bërë model i përsëritur (shmangie e gjuhës së qartë kur preken aktorë të caktuar politikë), atëherë konkluzioni është se de fakto ky aktgjykim, me këtë stil e gjuhë, ka kaluar nga stadi i “teknikës juridike” në indikator të qartë të ndikimit politik. Prandaj, pyetja nuk është nëse vendimi është juridikisht i pranueshëm — në shumë aspekte, ai është, por qartësisht i ndikuar. Pyetja reale është nëse një Gjykatë Kushtetuese duhet të mjaftohet me “të thënat e nënkuptuara”. Rrjedhimisht ky vendim duket më shumë si një kompromis ndërmjet së drejtës dhe politikës sesa një akt i pastër deklarativ kushtetues.

Kurti udhëton për në Francë, pritet të takohet me Emmanuel Macron

Kryeministri Albin Kurti në takim me presidentin francez | Foto: ARKIV

 

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar sot për një vizitë zyrtare në Francë.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, gjatë qëndrimit në Francë, Kurti pritet të zhvillojë takim dhe drekë pune me presidentin francez, Emmanuel Macron.

Detaje të tjera lidhur me agjendën apo temat që do të diskutohen në këtë takim nuk janë bërë të ditura.

Presidenti Francës para pak ditësh kishte uruar kryeministrin Albin Kurti, për mandatin e ri si kryeministër i Kosoves.

Kurti kishte marrë pjesë në Forumin e Paqes në Paris, me ftesë të Presidentit francez, Emmanuel Macron, në vitin 2025.

Gjatë qëndrimit në Paris, krahas pjesëmarrjes në Forumin e Paqes, Kurti zhvilloi takime bilaterale në margjina të Forumit.

Kryeministri, Albin Kurti, ishte pritur nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në Pallatin Elysee edhe gjatë vitit 2024, para ceremonisë hapëse të Lojërave Olimpike “Paris 2024”. kallxo.com

Plava thotë se për vrasjen e Liridonës kishte marrëveshje me Murselin: Më tha që edhe Behgjet Pacolli ka qenë në dijeni për rastin

Granit Plava ndërron deklaratën për vrasjen e Liridona Ademajt, thotë se kishte marrëveshje me Naim Murselin

Radio Evropa e Lirë

I akuzuari për vrasjen e Liridona Ademajt, Granit Plava, e ka ndryshuar deklaratën të enjten, duke i thënë Gjykatës Themelore në Prishtinë se vrasja u krye në marrëveshje me bashkëshortin e viktimës, Naim Murseli.

Gjatë gjykimit më 26 mars, Plava u tërhoq nga deklarata e dhënë më parë në Polici, duke pohuar se tani po thotë të vërtetën, raporton Betimi për Drejtësi, media e specializuar në fushën e drejtësisë.

Plava tha se deklaratën në Polici e kishte bërë në bazë të marrëveshjes që kishte me Murselin.

Liridona Ademj u vra në nëntor të vitit 2023. Murseli akuzohet për planifikimin e vrasjes, ndërkaq në këtë rast akuzohet edhe Kushtrim Kokalla.

Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të tij, avokatit Skender Gojani, i akuzuari Plava tha se kishte marrëveshje me Naim Murselin dhe se ai ka qenë në dijeni për veprën për të cilën sot po akuzohet.

Përgjatë dëshmisë, Plava pretendoi se Murseli i ka ofruar punë, pagë në vlerë prej 1.300 eurosh, si dhe një veturë G-Class. Kur e ka pyetur se kë do të vriste, sipas Plavës, Murseli i kishte thënë se nuk ka nevojë që ta dijë, por vetëm të marrë përgjegjësinë.

“Asnjëherë nuk më ka treguar kush është personi [që duhej vrarë], edhe më ka thënë veç do të marrësh përgjegjësinë ti, asgjë tjetër. Pa u bërë dy vjet të nxjerr nga burgu, e di çfarë pushteti kam”, ka deklaruar Plava, duke cituar atë që pretendon t’i ketë thënë Murseli.

Ai shtoi se për këtë rast ishte në dijeni edhe Behgjet Pacolli, ish-president i Kosovës dhe ish-udhëheqës i Aleancës Kosova e Re.

Radio Evropa e Lirë ka kërkuar një koment nga Pacolli për këtë deklaratë të Plavës dhe është në pritje të përgjigjes.

Pas vrasjes së Liridona Ademajt, Pacolli kishte shkruar në rrjetet sociale se Murseli ishte bashkëpunëtor i tij prej disa vitesh, por se ai nuk ishte në dijeni “për ndonjë precedent konflikti për Naimin”.

Kur u pyet nëse i njeh të akuzuarit e tjerë, Plava tha se Kokallën e njeh pasi janë nga fshati i njëjtë dhe Murselin më pak.

Plava tha se me Murselin u takua 7-8 herë dhe në ditën e vrasjes janë takuar pikërisht për marrëveshjen.

Sipas tij, të nesërmen e kishte kuptuar që personi që e vrau ka qenë gruaja e Naim Murselit.

“Më vjen keq për atë ditë çka ka ndodhur. Gjithmonë ka thënë se është serbe ose boshnjake, vetëm do të marrësh përgjegjësinë”, tha ai.

Më herët gjatë ditës në gjykatore është deklaruar edhe Murseli. Ai ka insistuar se në natën kur u vra bashkëshortja e tij, familja ishte ishte pre e grabitjes, teksa ka pranuar se armën me të cilën u krye vrasja ia bleu Plavës, por duke pretenduar se ai i kishte thënë se të nesërmen do ta shiste dyfish. Murseli pretendoi se me Plavën u morën vesh që t’i ktheheshin paratë e armës së blerë.

Si ndodhi vrasja?

Liridona Ademaj u vra në moshën 30-vjeçare më 29 nëntor 2023 në një rrugë në fshatin Bërnicë të Prishtinës.

Aktakuza e ngarkon Murselin se e ka planifikuar vrasjen e bashkëshortes me qëllim hakmarrjeje dhe përfitimi financiar nga një sigurim jetësor në Suedi, në shumë prej rreth 260 mijë eurosh.

Sipas Prokurorisë, Murseli e ka planifikuar vrasjen në bashkëpunim me Kushtrim Kokallën dhe Granit Plavën, duke u premtuar atyre një shpërblim prej 30 mijë eurosh për ta kryer krimin.

Kokalla akuzohet se e kishte njoftuar Murselin me dorasin Plava.

Plava akuzohet se ka kryer vrasjen.

Vrasja e Liridona Ademajt shkaktoi zemërim publik, veçanërisht pasi bashkëshorti i saj mori pjesë në varrim.

Familja kërkoi zhvarrosjen e trupit të saj për ta varrosur në varrezat e familjes Ademaj.

Që nga viti 2010, në Kosovë u vranë rreth 60 gra – shumica nga bashkëshortët e tyre.

Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut kritikojnë sistemin e drejtësisë për dënime të lehta të autorëve – gjë që, sipas tyre, i trimëron dorasit./REL

Ekspozita “Masakrat në Kosovë 1998-1999” rikthen kujtesën e luftës përmes dëshmive vizuale

Ardita Zeqiri

Në 27 vjetorin e nisjes së bombardimeve të NATO-s kundër objektivave ushtarake dhe policore të ish-Jugosllavisë në Kosovë dhe Serbi, në Sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë është hapur ekspozita “Masakrat në Kosovë 1998–1999”, e cila paraqet rrëfim dhe detaje të krimeve të luftës përmes fotografive dhe dëshmive të dokumentuara.

Në këtë ekspozitë janë paraqitur, në mënyrë kronologjike, 49 masakra të kryera gjatë luftës në Kosovë 1998–1999, duke filluar nga masakra në Likoshan-Qirez (28 shkurt 1998) e deri te masakra në Familjen Bala (12 qershor 1999).

“Nga 105 masakra, në këtë ekspozitë janë përfshirë vetëm ato për të cilat kemi pasur fotografi dhe citate të dëshmitarëve, ndërsa në librin “Masakrat në Kosovë 1998-1999” figurojnë të gjitha masakrat”, thuhet në njoftimin e Admovere.

Ekspozita e cila do qëndroj deri më 7 prill 2026 paraqet ngjarjet në shqip dhe anglisht, ku jepen detaje të masakrave, torturave, rrëfime të mbijeturave dhe të dhëna për gjykimet e personat e dënuar.

Ndërhyrja e NATO-s synonte ndaljen e dhunës, spastrimit etnik dhe shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut ndaj popullsisë shqiptare në Kosovë.

Fushata e bombardimeve zgjati 78 ditë dhe përfundoi më 9 qershor 1999, kur u arrit Marrëveshja e Kumanovës mes NATO-s dhe forcave jugosllave.

Një ditë më pas, më 10 qershor, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi Rezolutën 1244, duke i hapur rrugë vendosjes së një administrate ndërkombëtare në Kosovë.

Vendimi për ndërhyrje u mor nga NATO, me rol udhëheqës të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe presidentit të atëhershëm, Bill Clinton. Urdhri për ndërprerjen e bombardimeve u dha asokohe nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Javier Solana.

Më 12 qershor 1999, pas përfundimit të fushatës së bombardimeve, rreth 50,000 trupa nga 36 vende filluan të vendoseshin në Kosovë, me 30,000 prej tyre që vinin nga vendet e NATO-s. Misioni i tyre ishte të siguronin paqe dhe liri të lëvizjes për të gjithë qytetarët.

Ndërhyrja e NATO-s mundësoi kthimin e qindra mijëra qytetarëve të dëbuar në shtëpitë e tyre./Kallxo.com

Supremja vendos që pensionistëve kontributpagues t’iu njihen diplomat edhe pas janarit 1991

Radio Evropa e Lirë

Gjykata Supreme e Kosovës e ka shpallur të paligjshëm një nen të një udhëzimi administrativ që kërkonte nga pensionistët kontributpagues të dëshmonin nivelin e shkollimit para 1 janarit të vitit 1991 me qëllim që të përfitonin nga kriteri i kualifikimit.

Supremja tha se ka shfuqizuar paragrafin 5 të nenit 5 të një udhëzimi administrativ të miratuar më 2015, që rregullon kategorizimin e kategorizimin e shfrytëzuesve të pensionit kontribut-pagues sipas strukturës kualifikuese dhe kohëzgjatjes së pagesës së kontributeve.

Sipas këtij neni, pensionistët duhej të dëshmonin kualifikimin e tyre arsimor – qoftë të mesëm, të lartë, universitar dhe pasuniversitar – të fituara para kësaj date.

“Gjykata vlerëson se dispozita e kontestuar, e cila kërkonte që dëshmitë për kualifikim arsimor të jenë të fituara para datës 01.01.1991, nuk ka bazë ligjore dhe përbën tejkalim të autorizimit të dhënë me ligj. Sipas arsyetimit të aktgjykimit, ligji përkatës për skemat pensionale nuk e lidhin të drejtën në pension me kohën e fitimit të kualifikimit arsimor, por me pagesën e kontributeve dhe përmbushjen e kushteve ligjore”, u tha në njoftimin e gjykatës.

Gjykata Supreme tha po ashtu se kufizimi i vendosur është “arbitrar” pa ndonjë “qëllim të qartë legjitim dhe joproporcional”, duke argumentuar se përjashton një kategori të tërë pensionistësh kontributpagues “që kanë përmbushur kushtet ligjore, vetëm për shkak të kohës së fitimit të kualifikimit të tyre arsimor.

Supremja tha se neni i shfuqizuar është në kundërshtim me Ligjin për skemat pensionale të financuara nga shteti.

Në Kosovë ka disa lloje pensionesh. Pensioni i moshës është 150 euro, ndërkaq pensioni kontributpagues sillet nga 218 deri në 318 euro në muaj, varësisht shkallës së arsimimit.

Jamie Shea: S’dua të vdes pa e parë Kosovën në NATO

 

  • Nga: Eraldin Fazliu Eraldin Fazliu

Koha.net – 27 vjet pas intervenimit të NATO-s në Kosovës, ish-zëdhënësi i aleancës veriatlantike, Jamie Shea, ka thënë se nuk dëshiron të vdesë pa e parë Kosovën në NATO. Sipas tij, nuk duhet të lejohet që çështja e mosnjohjes nga disa vende ta bllokojë progresin e Kosovës. Ai ka theksuar se intervenimi ushtarak i NATO-s nuk kishte alternativë tjetër

“Kosova ishte një tregim suksesi”, ka thënë zëdhënësi i NATO-s në kohën e bombardimeve në Kosovë, Jamie Shea.

Derisa ka kujtuar kohën e intervenimit të NATO-së gjatë luftës në Kosovë më 1999, ish-zëdhënësi i NATO-s ka thënë se nuk ka qenë e lehtë që të arrihej konsensusi për të bërë një gjë të tillë.
Në intervistën dhënë në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, me rastin e 27-vjetorit të sulmeve të aleancës mbi caqet ushatarke serbe, Shea ka thënë se në atë kohë kishte dyshime nëse fushata ajrore do të ishte e suksesshme dhe se kishte diskutime për një operacion tokësor.

Ish-zyrtari i lartë i NATO-s, po ashtu ka folur edhe për rrugëtimin e Kosovës në aspektin e sigurisë pas çlirimit të saj.

Ai ka shprehur dëshirën që të mos vdesë pa e parë Kosovën në NATO.

“Do të isha sigurisht shumë i irrituar nëse e lë këtë botë pa e parë Kosovën si pjesë të NATO-s dhe mendoj se kjo gjë do të ndodhë. Mendoj se Aleancës së NATO-s i duhet më shumë imagjinatë kur bëhet fjalë për Kosovën”, ka thënë Shea.

Koha: Zotëri Jamie Shea, është nder t’ju kemi në programin tonë.

Jamie Shea: Është nderi im të jem në programin tuaj përsëri dhe faleminderit për ftesën.

Koha: Është posaçërisht nder t’ju kem në këtë kohë kur në Kosovë po shënojmë 27-vjetorin prejse NATO-ja nisi fushatën ajrore kundër caqeve serbe më 24 mars të vitit 1999, që shënon një nga datat më të rëndësishme të historisë bashkëkohore të Kosovës. Si e kujtoni personalisht ju si një nga zërat e rëndësishëm të NATO-s në atë kohë?

Jamie Shea: 27 vjet më vonë, jam shumë i lumtur që NATO-ja e bëri atë fushatë ajrore. Nuk ka qenë e lehtë as të arrihej konsensusi për ta bërë një gjë të tillë dhe operacioni ushtarak ka qenë i vështirë dhe i komplikuar siç e di secili në Kosovë. Por 27 vjet më vonë, unë mendoj se ishte gjëja e duhur për ta bërë. Ishte e nevojshme. Politikisht e justifikueshme. Moralisht një intervenim i justifikuar. Ishte një intervenim i nevojshëm për ta ndalur një katastrofë humanitare në Kosovë dhe nëse e shikoni historinë e 27-vjeçarit të fundit, intervenimi ka rezultuar me Kosovën që u bë shtet i pavarur, jo perfekt, por së paku këta 27 vjet, kosovarët e kishin një mundësi të jetonin në paqe, në liri dhe mund të shkojnë në shtrat gjatë natës pa u frikësuar se forcat serbe do t’i shqelmojnë dyert e tyre apo t’u vendosin zjarrin shtëpive të tyre. Mund të votojnë në zgjedhje dhe vendi ka bërë shumë progres.
Kështu që 27 vjet më pas, kur shikoj të gjitha konfliktet që kishim në këtë periudhë: kishim Afganistanin, Irakun, Libinë, sot kemi Iranin, Ukrainën, të paktën Kosova ishte një tregim suksesi. Jo shumë tregime të sukseseve, por një tregim suksesi, i një intervenimi të suksesshëm që shpëtoi shumë jetë dhe që bëri që Kosova të jetë e lirë dhe që solli një rajon më paqësor dhe më stabil.

Koha: Nëse do t’ju pyesja në terma më personalë, cila ishte ndenja që kishit ju më 24 mars të 1999-s: që lufta do të përfundonte së shpejti apo se do t’ju duheshin trupa tokësore për ta çliruar Kosovën?

Jamie Shea: Askush nuk e di këtë gjë. Të jemi të sinqertë. Kur e nis një operacion ushtarak, nuk e di kurrë se çfarë do të ndodhë, se a mund të jetë i gjatë, apo mund të jetë i shkurtër. Ju e dini se armiku juaj, Slobodan Millosheviqi mund ta bëjë jetën tuaj më të vështirë dhe natyrisht kjo ishte çfarë Millosheviqi u përpoq ta bënte: t’ia bënte jetën më të vështirë NATO-s. Në një mënyrë, si përfundim, ju e dini se do të keni sukses, sepse NATO-ja ishte natyrisht shumë më e fuqishme sesa Millosheviqi, por në të njëjtën kohë, gjërat në luftë mund të shkojnë edhe gabim. Operacionet ushtarake gjithnjë mbartin në vete gabime, siç e dimë dhe se do të ketë ditë të mira por edhe ditë të këqija dhe se ju duhet të vazhdoni tutje.
Por  në anën tjetër unë e kam parë se si NATO-ja ka provuar diplomacinë, mënyrën paqësore të zgjidhjes së krizës. Ne shkuam në Rambuje me serbët, me kosovarët dhe provuam të gjenim një kompromis që do ta bënte luftën të panevojshme.
Por pas janarit të vitit 1999 dhe Masakrës së Reçakut, dhe refuzimit të paqes së Rambujesë nga ana e serbëve, unë u bëra pesimist dhe u binda se Millosheviqi donte një zgjidhje të dhunshme dhe kështu që pavarësisht të gjitha komplikimeve dhe të panjohurave, intervenimi ushtarak i NATO-s nuk kishte alternative tjetër.

Koha: Siç e dimë, pas intervenimit të NATO-s pasoi një hakmarrje mizore ndaj civilëve shqiptarë nga forcat serbe me dhjetëra masakra që u kryen derisa ju bombardonit nga ajri. Derisa ju shihni se çfarë po ndodhte në terren, a u rrit presioni për intervenim këmbësor dhe cilat ishin mendimet fillestare kur po shihnit masakrat që po kryheshin ndaj civilëve?

Jamie Shea: Paj, sigurisht, gjëja e parë është se këto gjëra më bënë mua dhe shumë njerëz të tjerë edhe më të vendosur për ta vazhduar fushatën ajrore, sepse Millosheviqi ishte edhe më i keq se që njerëzit e kishin menduar. Pra, kjo më bëri të jem edhe më i vendosur për një zgjidhje të dhunshme. Tani e di që Millosheviqi provoi me propagandë, duke thënë se vrasjet në Kosovë ishin si rezultat i bombardimeve të NATO-s dhe jo nga mizoritë e forcave serbe. Kështu që kjo ishte një çështje si zëdhënës i NATO-s duhej të merresha. Por ne e dinim me gjithë dëshmitë që kishim se fushata e spastrimit etnik nisi një vit para fillimit të intervenimit të NATO-s. Unë e përmenda Masakrën e Reçakut dhe ajo ndodhi dy muaj para intervenimit të NATO-s. Kështu që është tërësisht e pavërtetë për njerëzit në Serbi të pretendojnë se problemet filluam vetëm pasi NATO-ja nisi fushatën.
Në anën tjetër, është e vërtetë se kishte dyshime nëse fushata ajrore do të ishte e suksesshme dhe kishte diskutime për një operacion tokësor dhe natyrisht NATO-ja po përgatiste trupa në Maqedoninë e Veriut, që përfundimisht u njohën më vonë si KFOR. Por, fatmirësisht kjo nuk ndodhi dhe pavarësisht pa përsosmërisë së saj, fushata ajrore pati sukses që ta bindte Millosheviqin që t’i nxirrte forcat e tij jashtë Kosovës.
Por është mirë që NATO-ja përgatiti opsionin tokësor, sepse ajo përgatitje e lejoi NATO-n të futej në Kosovë shpejt për të mundësuar largimin e forcave serbe nga Kosova dhe për të mundësuar që popullata civile të ishte e mbrojtur nga anarkia në atë periudhe tranzicioni mes forcave serbe dhe forcave të reja, UNMIK-ut apo administratës së Kombeve të Bashkuara që u vendos në Kosovë.

Koha: E përmendët procesin e bisedimeve në Rambuje. Siç e dimë, aty ishin të përfshirë edhe ish-krerë të UÇK-së, ishte Ibrahim Rugova dhe pjesëmarrës të tjerë. Si do ta vlerësonit koordinimin apo më mirë thënë, bashkëpunimin mes NATO-s dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në atë kohë?

Jamie Shea: Dua të jem i sinqertë. Kishte shumë vende të NATO-s që ishin shumë të kujdesshëm që të mos shiheshin të lidhur me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, sepse ato vende nuk donin të shiheshin sikur po e bënin intervenimin për ta ndarë Jugosllavinë nga ajo që mbeti Jugosllavi pas asaj që i ndodhi me Slloveninë, Kroacinë e Bosnjën.
Aleatët kishin dallime. Ju e dini se amerikanët u takuan me përfaqësuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por të tjerët ishin më të kujdesshëm dhe për këtë arsye, justifikimi i përbashkët kolektiv i intervenimit ajror të NATO-s ishte intervenimi humanitar. Për këtë gjë të gjithë u pajtuam. Ne donim të mbronim civilët, të mbronim kosovarët, për të ndalur dhunën, spastrimin etnik, të mos kishim edhe një masakër si ajo e Srebrenicës në vitin 1995.
Por unë supozoj që edhe nëse aleatët do ta kuptonin se qëllimi i intervenimit nuk do të ishte pavarësia e Kosovës, pasojat e represionit serb dhe pasojat e largimit të forcave serbe në Kosovë do të krijonin rrethana që Kosova të shpallte pavarësinë dhe sigurisht se ai proces përfundoi në vitin 2008 me shpalljen e  pavarësisë. Kështu që mendoj se u bë e paevitueshme, por u bë e paevitueshme pikërisht sepse Serbia e bëri të qartë se nuk mund t’i besohej me qeverisjen e Kosovës, sepse i trajtoi aq keq kosovarët dhe se sovraniteti i Serbisë në Kosovë u dobësua shumë për shkak të veprimeve të Millosheviqit.

Koha: Është një debat në rritje edhe për shkak të asaj që po ndodh në botë me politikën ndërkombëtare se pavarësisht humbjeve në njerëz që pësoi Kosova, luftës për çlirim nga UÇK-ja e luftës për pavarësi, shqiptarët e Kosovës ishin me fat dhe i shfrytëzuan mirë rrethanat gjeopolitike të kohës, me gjenocidin në Srebrenicë që ndodhi pak kohë më parë. A besoni se po të ishim tash në të njëjtën gjendje, NATO-ja do të intervenonte në Kosovë?

Jamie Shea: Paj, sot, kushedi. Nëse jam i sinqertë është një pyetje shumë e vështirë. Kur u pata bërë zëdhënës i NATO-s, m’u këshillua që kurrë të mos u përgjigjesha pyetjeve spekulative apo pyetjeve hipotetike sepse kushedi çka do të ndodhte  Por natyrisht nuk jam më zëdhënës i NATO-s, jam një akademik dhe një qytetar privat dhe mund të jap opinionin tim.
Po, sot është krejt tjetër momentum, le të flasim hapur për këtë gjë.  Shtetet e Bashkuara nuk janë aq të përfshira në NATO siç ishin, nuk janë aq të përkushtuara sa ishin atëbotë, lufta në Ukrainë ka lënë të kuptohet se NATO-ja është rikthyer te mbrojtja kolektive në lindje të Evropës dhe te misioni i saj që ka pasur që nga fillimi. NATO-ja e la Afganistanin tash po tërhiqet nga Iraku. Nuk qëndroi në Libi.
Prandaj Kosova është një rast përjashtimi me KFOR-in që është aty 27 vjet.  KFOR-i është misioni më i gjatë i NATO-s në historinë e saj, më i gjatë se në Afganistan, më i gjatë se në Bosnjë e gjetiu. Kështu që ju mund të keni të drejtë, 1999-ta ishte një momentum unik politik kur rusët ishin të dobët, kinezët ishin neutralë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, dhe kur amerikanët ishin më të përfshirë.
E dini, ne kishim përgjegjësi për të mbrojtur nocionin se duhej të intervenonim për të ndalur spastrimin etnik. Siç e thatë edhe ju, askush s’donte tas kujtonte Bosnjën më dhe atë që ndodhi atje. Prandaj nganjëherë duhet t’i kapni momentumet historike kur ato vijnë para se të mbyllet dritarja për to, sepse po ta humbni momentumin, ndoshta duhet të prisni edhe një shekull që të rikthehet mundësia e njëjtë. Jam i lumtur që të paktën më 1999, kur mundësia ishte, NATO-ja e kapi këtë mundësi por sot, ju keni të drejtë kur thatë se sot jetojmë në një botë më mizore dhe më të vështirë sesa një botë më optimiste në vitin 1999.

Koha: Do të flasim për këtë, por e kaluara reflekton edhe në çështjen aktuale zoti Shea. Sepse siç kemi parë, Serbia në mënyrë të përbashkët me Rusinë, përmes kanaleve të tyre diplomatike, përmes takimeve të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Kosovë, propagandojnë kundër intervenimit të NATO-s në Kosovë. Çfarë mendoni se mund të ketë qenë ndikimi për këtë propagandë që kemi parë nga Kremlini dhe Beogradi për më shumë se dy dekada e gjysmë?

Jamie Shea: Epo është politikë shtyje, shtyje shtyje. Çfarë patëm më 1999 dhe pavarësinë e Kosovës në vitin 2008 ishte realitet. Jugosllavia u shkatërrua në Ballkanin Perëndimor, kishte shtete që lëvizën drejt integrimit në NATO-s, Bashkimit Evropian, duke u bërë demokratike dhe normalisht se kur politikanët përballen me një realitet të ri,  perandoria e vjetër ikën, e ka një sistem të ri gjeopolitik, puna e këtyre politikanëve është që t’i bashkëngjiten këtij realiteti të ri, të lënë historinë prapa dhe të shikojnë në të ardhmen dhe mundësitë e së ardhmes.
Kjo është ajo çfarë popujt e këtyre kombeve duan që politikanët e tyre të bëjnë. Por fatkeqësisht, ju keni të drejtë, në Beograd, ne kemi një grup të udhëheqësve që kanë ndërtuar një gjysmëdemokraci, gjysmëreforme, gjysmëqëllimi për t’iu bashkëngjitur Bashkimit Evropian, duke u ulur në mes të gardhit dhe duke luajtur politika: Lindje kundër Perëndimit e Perëndimit kundër Lindjes dhe kjo nuk e ka ndryshuar realitetin.
Jugosllavia nuk do të kthehet prapa, por fatkeqësisht kjo gjendje vetëm e ka shtyrë procesin e njohjes së historisë, duke mos kërkuar falje për krimet e kryera në të kaluarën, e duke mos thënë “na falni”, duke normalizuar marrëdhëniet mes Prishtinën dhe kështu duke u shërbyer interesave të popullit të tyre.
Gjithë këto demonstrata të mëdha pas kolapsit të çatisë në stacionin e trenit në Novisad kanë treguar se shoqëria civile në Beograd nuk dëshiron të jetojë në të kaluarën, duke përsëritur mospajtimet e vjetra dhe të lodhura të së kaluarës më Kosovën dhe me fqinjët e tjerë të Serbisë. Kjo nuk është ajo që duan këta protestues, por ata duan që standardet jetësore të përmirësohen, ata duan që mediat e tyre të jenë të lira, që universiteti i tyre të funksionojë më mirë, duan më shumë punë e mundësi, kështu që për atë që thua por nuk e ndryshon realitetin në thelb, por kjo nënkupton që vetëm humbim vite, humbim gjenerata dhe ky është një mëkat shumë shumë i madh kur kohët ndalen dhe kur realiteti tjetër dominon më shumë gjëra të tjera që do të duhej të kryheshin.

Koha: Një herë shpëtuar nga bombat e NATO-s dhe të ndihmuar nga brenda nga UÇK-ja, sot Kosova është një shtet i pavarur dhe njerëzit e saj sot e përjetojnë lirinë e tyre, demokracinë me gjithë telashet e brendshme që i ka në baza ditore. Sot Kosova ushtrinë e saj të rregullt, Forcën e Sigurisë së Kosovës që aspiron të bëhet anëtare e NATO-s. Çfarë mendimi keni që Kosova të bëhet anëtare e 33-të e Organizatës Veriatlantike?

Jamie Shea: Unë natyrisht se dua ta shoh FSK-në në NATO, dhe posaçërisht shpresoj se kjo do të ndodhë sa të jem gjallë duke shpresuar se kam edhe disa vite të tjera për të jetuar.
Do të isha sigurisht shumë i irrituar nëse e lë këtë botë pa e parë Kosovën si pjesë të NATO-s dhe mendoj se kjo gjë do të ndodhë. Mendoj se aleancës së NATO-s i duhet më shumë imagjinatë kur vjen fjala te Kosova. Nuk mund të lejojmë që çështja e mosnjohjes nga disa aleatë ta bllokojë progresin. Në vështrimin tim nuk ka ndonjë arsye që Kosova të mos jetë anëtare e plotë e Partneritetit për Paqe dhe të mos përfitojë nga të gjitha ushtrimet e përbashkëta, trajnimet, ndërveprimi, standardet e përbashkëta që sjell programi.
Janë disa programe bashkëpunuese me FSK-në, por është një meny e kufizuar dhe NATO-ja duhet ta zgjerojë atë në raport me Kosovën.
Kosova ndan vlerat e NATO-s, dëshiron të afrohet më afër BE-së, është e orientuar nga Perëndimi dhe në kohën kur sinqerisht Perëndimi po humb miqtë, në një botë më autoritare me më shumë diktatorë, me demokracinë në rënie, në mendjen time do të ishte budallallëk që NATO-ja të injoronte një vend demokratik që dëshiron të bëhet pjesë e klubit.
NATO-ja do të duhej të ishte e lumtur se shtetet po trokasin në derën e saj dhe jo duke ia bërë më të vështirë bashkëngjitjen në klub Kosovës, por duke e lehtësuar për t’iu bashkangjitur klubit.
Kjo është ajo çfarë vërtet unë shpresoj të ndodhë, që NATO-ja të tregojë më shumë fleksibilitet dhe imagjinatë në raport me Kosovën.
Nëse është çështja e njohjes, ajo mund të aplikohet në kohën e anëtarësimit në një kohë më vonë, por nuk duhet të përdoret kjo për të bllokuar në këtë fazë të ndërmjetme sikurse është bashkëngjitja në Partneritetin për Paqe dhe të gjitha këto mundësi të tjera.
Fatkeqësisht në SHBA, siç e shihni dhe e dini ju me çështjen e Ukrainës, ka një qasje tjetër në raport me anëtarësimin e Ukrainës në NATO tash në krahasim me çfarë kishim atëherë në kohën e Bill Klintonit. Por me shpresën se kjo nuk do të zgjasë përgjithmonë dhe do të ndryshojë, dhe që SHBA-ja do të rikthehet tek interesi i bashkimit të Evropës, duke e përfunduar punën në Ballkanin Perëndimor me anëtarësimin e Kosovës në NATO  e kështu duke përcjellë shembullin e Shqipërisë, Kroacisë, Sllovenisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut. Kështu që nëse Kosova është e rrethuar me NATO-n, me përjashtim të Serbisë, pse mos të jetë pjesë e NATO-s po ashtu?!

Koha: Shkurtimisht, a e keni përcjellë reformën e FSK-së dhe si do ta vlerësonit gjendjen aktuale të saj?

Jamie Shea: Mendoj se Policia e Kosovës dhe FSK-ja kanë bërë punë shumë të mirë, si p.sh. mënyra se si Policia e menaxhoi incidentin në Banjskë në vitin 2023. Aty mund të kishte shumë më shumë gjakderdhje dhe natyrisht një polic i Kosovës tragjikisht humbi jetën, por aty u menaxhua shumë mirë situata nga Policia.

Koha: Zotëri Shea, ju pyeta për FSK-në dhe jo Policinë e Kosovës.

Jamie Shea: Po, por doja të shtoja edhe për Forcën e Sigurisë së Kosovës që kanë treguar shumë profesionalizëm, duke u trajnuar me NATO-n, duke shtrirë partneritetin me disa vende anëtare të NATO-s, duke u arsimuar jashtë Kosovës në vende mike, e duke u trajnuar në qendrat e trajtimit të NATO-s.

Kosova ka bërë shumë punë të mirë në këtë drejtim, po ashtu duke pasur dimensionin e sigurisë së Kosovës, marrë parasysh rreziqet që i ka Kosova. Le të jemi të sinqertë, Kosova nuk ka nevojë të blejë aeroplanë “F-35”, apo tanke “Leopard II”, këto mjete janë shumë të kushtueshme. Është e rëndësishme të ketë një Forcë të Sigurisë që është e trajnuar dhe pajisur duke pasur parasysh buxhetin e shtetit dhe duke u përballuar me rreziqet aktuale të sigurisë.

Koha: Mirëpo derisa Kosova duhet t’i rimendojë shpenzimet në Ushtri, siç thoni ju, apo që të mos ketë vizion të blejë tanke “Leopard II” apo mjete të rënda ushtarake, Serbia në anën tjetër si një fqinj armiqësor i Kosovës së fundmi ka blerë raketa balistike supersonike kineze në përgjigje ndaj aleancës ushtarake mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, që presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, e ka quajtur një pakt antiserb. A ju duket një gjuhë përshkallëzimi kjo nga presidenti i Serbisë?

Jamie Shea: Jo mendoj se bashkëpunimi i sigurisë mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë është për çështje të përbashkëta sikurse zjarret në pyje, kërcënimet mjedisore, pandemitë sikurse e pamë me Covidin, dhe u duhet bashkëpunim të sigurisë për ta ndihmuar njëri-tjetrin. Kjo edhe ka ndodhur në regjion, veçanërisht me zjarret e egra gjatë verës, me vërshimet, me situata të motit ekstrem, katastrofave natyrore apo tjetër gjë.
Ne nuk duhet t’i shohim forcat ushtarake vetëm duke bërë luftëra të mëdha dhe nuk e shoh aleancën që të jetë armiqësore ndaj Beogradit në asnjë mënyrë. Mendoj se Beogradi duhet të bashkëpunojë në këtë formë të bashkëpunimit rajonal, dhe do të ishte edhe si masë e rritjes së mirëbesimit. E sa për Serbinë, po ajo shpenzon më shumë në Ushtri sesa kërkohet duke pasur parasysh faktin se askush nuk po e kërcënon Serbinë në këtë moment.

Koha: Kjo nuk është ajo çfarë thotë presidenti i Serbisë zotëri Shea. Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, së fundmi ka thënë se ai frikësohet se mund ta sulmojnë fqinjët e tij, po e parafrazoj pak a shumë çfarë ka thënë.

Jamie Shea: Po e kuptoj këtë, por e dini, siç e kam thënë, secili ka të drejtë të ketë opinionin e tyre, por jo secili ka të drejtë të ketë faktet e tyre. Dhe faktet nuk e vërtetojnë këtë pikë vështrimi të Vuçiqit. Serbia nuk kërcënohet nga askush. Është në proces të bashkëngjitjes në Bashkimin Evropian, ndonëse ngadalë. Po thith shumë investime nga Shtetet e Bashkuara, Evropa dhe ka një partneritet për paqe me NATO-n, madje edhe kryen ushtrime të përbashkëta me NATON-n, ani pse presidenti Vuçiq nuk e përmend këtë shpesh publikisht.
Kështu që ideja se Serbia është sikurse Ukraina duke u përballur me një rrezik të madh të jashtëm, thjesht nuk është e vërtetë. Përsëri po e them, nëse shikoni protestat e mëdha gjatë vitit të kaluar në Serbi, njerëzit nuk po kërkojnë nga qeveria të shpenzojë para të panevojshme në aeroplanë rusë, kinezë apo raketa. Ata thjesht po kërkojnë të përmirësohen infrastruktura, shërbimet publike, arsimi pas të gjitha atyre të shtënave nëpër shkolla që kemi parë. Kjo është çfarë njerëzit e Serbisë duan dhe natyrisht nëse Qeveria e Serbisë nuk ofron çfarë njerëzit duan, atëherë mendoj se Qeveria do të zhduket më parë sesa do të zhduken njerëzit.

Koha: Mirëpo kjo gjuhë luftënxitëse mund të kuptohet edhe si një formë për të krijuar një strategji nëse jo vetëm taktike për të lëvizur para me plane të tjera. Dhe duke parë gjithë këtë vorbull në skenën ndërkombëtare, me ngjarjet e fundit në Gjirin Persik, pastaj lindjen e Evropës me Ukrainën dhe konfliktet që po mbijnë çdo ditë më shumë e më shumë, a besoni se ka ndonjë rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë e Kosovës dhe të rajonit nga ndonjë shpërthim i ri?

Jamie Shea: Jo unë nuk besoj atë gjë. Mendoj se luftërat e mëdha janë kryer. Problemin më të madh në Ballkanin Perëndimor e shoh në atë që njihen ndryshe si zona të hirta të luftës apo luftëra hibride.
Me fjalë të tjera, jo duke dërguar forca ushtarake përgjatë kufijve, të cilat do të ishin katastrofike, por më shumë përpjekje për të minuar qeveritë e tjera me sulme kibernetike, propagandë, fushata të dezinformatave dhe ndonjëherë edhe duke dërguar formacione të armatosura sikurse në incidentin e Banjskës, kur kishte forca paramilitare që synuan të krijonin tensione, krijonin ndasi, përçajnë shoqëritë.
Ne e shohim këtë gjë në shoqëritë në Ballkan dhe jo vetëm në Kosovë, por në shumë shtete dhe është e rëndësishme që NATO-ja, BE-ja dhe Kosova do të punojnë së bashku për të përmirësuar qëndrueshmërinë e Kosovës kundër këtyre llojeve të aktiviteteve destabilizuese të zonave të hirta.
Kur e shikoni Iranin, nuk mendoj se Irani ka ndonjë interes për të zgjeruar luftën në Evropë. Ka mjaft probleme për momentin me SHBA-në dhe Izraelin dhe shtetet e gjirit. Po, kishte disa incidente me dronë në Qipro, por, siç e keni parë, evropianët duke përfshirë edhe vendin tim, Mbretërinë e Bashkuar, kanë dërguar shumë anije, aeroplanë në Mesdhe për të mbrojtur Evropën nga ndonjë kërcënim i raketave iraniane.
Kështu që në kohë lufte ju gjithnjë duhet të jeni vigjilentë, por nuk shoh ndonjë kërcënim të drejtpërdrejtë për Evropën nga Irani. Kërcënimi më i madh ndaj Evropës nga Irani është kërcënimi ekonomik, në kuptim të rritjes së çmimeve të naftës dhe gazit, inflacionit dhe rritjes më të ulët ekonomike evropiane, gjë që askush nuk e dëshiron. Pra, pasojë ekonomike më shumë sesa ushtarake.

Koha: Ju falënderoj shumë për kohën tuaj zotëri Shea!

Jamie Shea: Të faleminderit shumë për mundësinë për të folur me ju këtë mbrëmje!/Koha.net

Emri i shefit të ri të Zyrës ruse në Kosovë figuron në një databazë që e lidh me inteligjencën ruse

Doruntina Baliu

Radio Evropa e Lirë ka gjetur se emri i Ilia Uvarovit, shefit të ri të Zyrës Ndërlidhëse të Rusisë në Prishtinë, figuron në një databazë të publikuar nga organizata ukrainase Molfar, ku përfshihen persona që dyshohet se kanë lidhje me shërbimet sekrete ruse. REL-i nuk ka mundur ta verifikojë në mënyrë të pavarur pretendimin për rolin e saktë të tij.

Në një zyrë që prej vitesh operon pothuajse në heshtje në Prishtinë, Rusia emëroi shef të ri.

Në gusht të vitit 2025, përmes një njoftimi të shkurtër, misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) bëri të ditur se përfaqësuesja e atëhershme speciale e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së kishte pritur shefin e ri të Zyrës Ndërlidhëse të Rusisë në Prishtinë, Ilia Uvarov.

Pamje nga takimi i 11 gushtit.

Pamje nga takimi i 11 gushtit.

Takimi u përshkrua si “diskutim i përgjithshëm dhe konstruktiv”.

Përtej këtij njoftimi formal, Uvarov mbeti figurë pak e njohur për publikun në Kosovë.

Madje, në ueb-faqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, ku janë të listuara misionet e huaja diplomatike në vend, ai ende nuk figuron si drejtues i kësaj zyre. Aty vazhdon të jetë i listuar paraardhësi i tij, Andrei Shugurov.

Ndërkohë, emri i Uvarovit, si i emëruar për Kosovën, përmendet në listën e përditësuar të misioneve të huaja në Serbi – një praktikë që lidhet me faktin se Serbia e konsideron Kosovën pjesë të territorit të saj, ndërsa shtetet që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, shpesh i menaxhojnë marrëdhëniet diplomatike përmes Beogradit.

Ajo që e vendos emrin e Uvarovit në një kontekst më të gjerë, është një databazë e publikuar nga Molfar Intelligence Institute – një organizatë ukrainase që merret me analiza të burimeve të hapura dhe, në disa raste, edhe me dokumente të rrjedhura nga Rusia.

Në këtë databazë, Ilia (Ilya) Uvarov përshkruhet si “oficer i departamentit RT (Zbulim nga territori) të Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme të Rusisë (SVR)”.

Emri dhe të dhënat e Ilia Uvarovit në databazën e publikuar nga Molfar për persona të dyshuar për lidhje me inteligjencën ruse.

Emri dhe të dhënat e Ilia Uvarovit në databazën e publikuar nga Molfar për persona të dyshuar për lidhje me inteligjencën ruse.

Sipas organizatës, databaza është ndërtuar mbi materiale të siguruara nga një burim i brendshëm në një kompani teknologjike në Moskë dhe përmban emra diplomatësh dhe punonjësish të inteligjencës.

Një pjesë e të dhënave, sipas saj, është verifikuar përmes krahasimit me regjistra shtetërorë, por vetë organizata thekson se konfirmimi i plotë i roleve specifike mbetet i vështirë.

Instituti Molfar i tha REL-it se Departamenti RT “lidhet me operacione të inteligjencës që zhvillohen nga territori rus dhe që shpesh përdorin mbulesa diplomatike apo institucionale për të krijuar kontakte me zyrtarë të huaj, biznesmenë e të tjerë”.

REL-i nuk ka mundur të kontaktojë drejtpërdrejt me Ilia Uvarovin për të marrë një qëndrim lidhur me këto të dhëna.

Zyra Ndërlidhëse e Rusisë në Prishtinë nuk iu përgjigj pyetjeve të dërguara në adresën e saj zyrtare të emailit, e as Ambasada ruse në Beograd.

Ngjashëm, as Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it nëse ka informacione që Uvarov mund të jetë i lidhur me inteligjencën ruse.

Kush është Uvarov?

Karriera diplomatike e Uvarovit, që besohet të ketë nisur qysh në vitin 2000, përfshin disa poste në vende të ndryshme.

Në dokumente zyrtare, ai shfaqet fillimisht në vitin 2011 si pjesë e stafit diplomatik rus në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Megjithatë, të dhënat më të dukshme për aktivitetin e tij lidhen me misionin diplomatik në Moldavi.

Atje, ai ka shërbyer si konsull në Ambasadën ruse në Moldavi.

Rol të rëndësishëm ka pasur edhe në strukturat e territorit të shkëputur moldavian – kryesisht rusishtfolës dhe prorus – të quajtur Transnitri, që Moldavia e konsideron pjesë të saj.

Në këtë territor ekziston Komisioni i Përbashkët i Kontrollit, i cili mbikëqyr zonën e sigurisë në Transnistri dhe përbëhet nga përfaqësues të Rusisë, Moldavisë dhe Transnistrisë.

Në vitin 2017, Uvarov u zgjodh bashkëkryesues i këtij komisioni si përfaqësues i Rusisë. Këtë post e mbajti deri në vitin 2019.

Komisioni është përgjegjës për monitorimin e zonës së sigurisë përgjatë lumit Dniestër (Nistru) që pas luftës së vitit 1992.

Sipas të dhënave që ka grumbulluar Shërbimi i Moldavisë i Radios Evropa e Lirë, në nëntor të vitit 2017, Uvarov mbështeti rihapjen e një ure mbi Dniestër, pavarësisht kundërshtimit të administratës separatiste të Transnistrisë.

Ura ishte rindërtuar me fonde të Bashkimit Evropian.

Sipas një ish-zyrtari të Qeverisë së Moldavisë, Uvarov është kthyer më vonë në Moskë pikërisht për faktin se ka mbështetur rihapjen e urës dhe mbajtjen e saj të hapur.

Përveç kësaj, sipas mediave në rajonin e Transnistrisë, Uvarov ka punuar më herët edhe në vende të tjera ish-sovjetike, si dhe në Shtetet e Bashkuara.

Çfarë ndodh kur një zyrtar i inteligjencës vepron nën mbulim diplomatik?

Ekspertët ndërkombëtarë të sigurisë thonë se përdorimi i mbulesës diplomatike për aktivitete të inteligjencës, është praktikë e njohur, por se në rastin e Rusisë ajo është “më e përhapur dhe më intensive”.

“Pothuajse nuk ka ambasadë në botë që të mos ketë një rol të caktuar të inteligjencës”, thotë Mark Galeotti, profesor britanik në University College London (UCL) dhe ekspert për krimin transnacional dhe çështjet e sigurisë ruse.

Ai thekson se, shpesh, është e vështirë të bëhet dallimi mes një diplomati dhe një oficeri të inteligjencës, por se karriera mund të japë indikacione.

Mark Galeotti.

Mark Galeotti.

“Nëse një diplomat ka një numër të madh postesh jashtë vendit, kjo ndonjëherë mund të japë indikacione për një rol në inteligjencë”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Sipas Galeottit, një mision si ai në Kosovë “duket si një bazë e përsosur për oficerë të inteligjencës, që më pas mund të udhëtojnë nëpër rajon”.

Ai shton se rëndësia e këtij misioni lidhet me kontekstin më të gjerë gjeopolitik.

“Ka rëndësi se çfarë ndodh në Kosovë. Kosova ka marrëdhënie relativisht të mira me Perëndimin… nuk ka të bëjë aq shumë me vetë Kosovën. Ka të bëjë me përdorimin e Kosovës si bazë, për të parë se çfarë mund të zbulohet rreth asaj që NATO-ja dhe vendet e tjera perëndimore po bëjnë dhe po mendojnë”, thotë Galeotti.

Ai paralajmëron edhe për ndryshimet në mënyrën e operimit të shërbimeve ruse pas dëbimit të qindra diplomatëve nga Evropa, pas nisjes së luftës së Rusisë kundër Ukrainës më 2022.

“Ata po mbështeten gjithnjë e më shumë te ndërmjetësit… njerëz që rekrutohen për të kryer detyra të caktuara, shpesh pa e ditur për kë punojnë”, thotë ai.

Në të njëjtën linjë, eksperti britanik për Rusinë, Keir Giles, thotë se praktika e përdorimit të zyrtarëve të inteligjencës nën mbulim diplomatik, është e përhapur globalisht, por se Rusia dallohet për shkallën e saj.

“Shumë vende vendosin oficerë inteligjence nën mbulesë diplomatike… por në rastin e Rusisë, një përqindje e madhe e diplomatëve janë në fakt oficerë inteligjence”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Ai shton se vendet përballen me një dilemë kur i identifikojnë këta persona: t’i dëbojnë apo t’i mbajnë nën vëzhgim.

Keir Giles.

Keir Giles.

“Ka rrethana të caktuara, në të cilat agjencitë vendase të kundërzbulimit do të jenë në dijeni të identitetit të një oficeri të inteligjencës nën mbulesë diplomatike, por do të vendosin të mos veprojnë kundër tij përtej vëzhgimit të aktiviteteve të tij”, thotë Giles.

Sipas tij, në raste si Kosova, ku kontrolli institucional mbi këtë mision diplomatik është i kufizuar, situata bëhet edhe më komplekse.

“Kur një vend nuk kontrollon kush hyn në territorin e tij… kjo paraqet një cenueshmëri potenciale”, thotë ai.

Ndërkohë, në anketat e vazhdueshme në Kosovë, për shumicën e popullatës, Rusia vazhdon të shihet si një faktor me rrezik për vendin.

Një raport i vitit 2024 i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (KCSS), që analizon narrativin e politikës së jashtme ruse kundrejt Kosovës, thotë se Moska e sheh Kosovën njëkohësisht si simbol të ndërhyrjes perëndimore, si çështje sigurie për Serbinë dhe si precedent në të drejtën ndërkombëtare.

“Në thelb, pozicioni i Rusisë ndaj Kosovës pasqyron rivalitetin e saj gjeopolitik me Perëndimin, i cili nën udhëheqjen e presidentit [Vladimir] Putin është thelluar ndjeshëm, veçanërisht përmes përpjekjeve për të forcuar ndikimin në Ballkanin Perëndimor, duke qëndruar në solidaritet me Serbinë”, thuhej në atë raport.

Edhe raporti “Vlerësimi Vjetor i Kërcënimeve 2026”, i publikuar nga Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtar të Shteteve të Bashkuara javën e kaluar, vlerësoi se Rusia “nxit paqëndrueshmëri midis Serbisë, të cilën e favorizon, dhe Kosovës”, por gjithashtu “mbështet ndarjen e entitetit serb, Republika Sërspka, nga Bosnja dhe Hercegovina”.

Çfarë bën Zyra ruse në Kosovë?

Në Kosovë, Uvarov drejton një mision që funksionon në një kornizë të pazakontë diplomatike.

Zyra Ndërlidhëse e Rusisë është themeluar në vitin 2005, në kohën kur Kosova administrohej nga OKB-ja.

Ajo funksionon nën ombrellën e UNMIK-ut dhe nuk i nënshtrohet kontrollit të drejtpërdrejtë të institucioneve të Kosovës.

Stafi i saj nuk ka nevojë për viza, ka të drejtë hyrjeje dhe daljeje pa kufizime dhe gëzon imunitet nga juridiksioni penal, civil dhe administrativ.

Edhe ambientet e saj janë të paprekshme nga autoritetet lokale.

Kjo e bën këtë mision një nga më pak transparentët në Kosovë.

Zyra Ndërlidhëse e Rusisë në Prishtinë.

Zyra Ndërlidhëse e Rusisë në Prishtinë.

Për vite me radhë, aktivitetet e kësaj zyre kanë qenë kryesisht të padukshme për publikun. Informacionet e pakta që ekzistojnë, lidhen kryesisht me takime me misione ndërkombëtare.

Megjithatë, në vitin 2021, autoritetet e Kosovës shpallën “non grata” dhe dëbuan dy diplomatë rusë të lidhur me këtë zyrë, duke thënë se kishin “cenuar sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues”.

Sipas informacioneve jozyrtare të Radios Evropa e Lirë, përfaqësuesit e Zyrës së Rusisë në Kosovë mbajnë lidhje me Kishën Ortodokse Serbe.

Vetë Kisha Ortodokse Serbe thotë se përfaqësuesit e saj në Kosovë kanë kontakte të rregullta me misionet ndërkombëtare, si KFOR-i, OKB-ja, OSBE-ja, BE-ja dhe vendet e Quint-it, por se këto kontakte lidhen me çështje të sigurisë, jetës së përditshme dhe funksionimit të institucioneve kishtare, e jo me politikë.

Sa i përket Zyrës Ndërlidhëse të Rusisë në Prishtinë, Kisha tha për REL-in se, viteve të fundit, nuk ka pasur vizita formale, por vetëm vizita të herëpashershme të stafit të saj në objekte fetare, së bashku me familjarë, kryesisht për shërbesa dhe vizita fetare.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it as nëse ka komunikim me këtë zyrë dhe diplomatët e saj, as për mënyrën se si funksionon ky mision diplomatik.

Për rolin e saktë të kësaj zyre në Kosovë, nuk foli as UNMIK-u.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, OKB-ja tha se “nuk komenton për përbërjen apo aktivitetet e misioneve diplomatike të shteteve anëtare”.

Kontribuoi: Shërbimi i Moldavisë i Radios Evropa e Lirë

Kurti emëron Jeton Zulfajn kryenegociator të Kosovës me BE-në

Radio Evropa e Lirë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka emëruar Jeton Zulfajn kryenegociator të Kosovës me Bashkimin Evropian.

“Zulfaj do të koordinojë procesin e integrimit evropian të Kosovës, i mbështetur nga strukturat përkatëse shtetërore”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.

Zulfaj ka qenë këshilltar politik i Kurtit prej marsit të vitit 2021, ndërsa me emërimin e ri e zëvendëson kryenegociatorin e deritashëm, Besnik Bislimin.

Bislimi i ka udhëhequr edhe negociatat e Kosovës me Serbinë, të ndërmjetësuara nga blloku evropian në Bruksel. Në shkurt të këtij viti, Qeveria pati bërë të ditur se në këtë proces dialogu, Kosova do të përfaqësohet nga Glauk Konjufca, ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Përveç rolit si kryenegociator me BE-në, sipas njoftimit, Zulfaj do të jetë edhe Koordinator kombëtar për Instrumentin për Reforma dhe Rritje (RGF), duke shërbyer si autoriteti kryesor koordinues në emër të Qeverisë për të gjitha çështjet që lidhen me këtë instrument.

Kosova është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor pa status kandidati për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kërkesën për anëtarësim e ka dorëzuar në fund të vitit 2022, por ajo nuk është shqyrtuar ende.

Qeveria Kurti 3 është votuar më 11 shkurt, megjithatë Kosova vazhdon të përballet me paqartësi për shkak të ngrirjes së punës së Kuvendit.

Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, e ka çuar në Gjykatën Kushtetuese një dekret të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani për shpërndarje të Kuvendit, në pamundësi për të zgjedhur presidentin e ri.

Osmanit i skadon mandati më 4 prill.

Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim për ngrirje të punës së Kuvendit deri më 31 mars, derisa të qartësohet nëse dekreti i Osmanit është shpallur në përputhje me ligjin.

Si ndikojnë rregullat e reja në përditshmërinë e të huajve në Kosovë

Flaka Zogu

Ligji për të huajt dhe ai për automjete nisën të zbatohen në Kosovë më 15 mars, por qytetarët të cilët preken prej tyre duket se kanë ende plot paqartësi.

Qëndrim Bytyqi, drejtor i Departamentit Ligjor në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë (REL) se rregulli për të huajt për qëndrim deri në 90 ditë në Kosovë, në periudhën prej 180 ditësh, nuk vlen për personat që kanë shtetësi të huaj si dhe shtetësi të Kosovës.

Bytyqi tha se serbët që punojnë në institucione shëndetësore apo arsimore të strukturave paralele të Serbisë në Kosovë, dhe posedojnë dokumente të strukturave paralele, detyrohen të aplikojnë për leje qëndrimi me afat prej 12 muajsh.

“E gjitha kjo është bërë për të siguruar se shërbimet shëndetësore dhe arsimore do të vazhdojnë”, tha ai.

Pasi të skadojë afati 12-mujor, Bytyqi tregoi se do të vazhdojnë procedurat e tjera të integrimit të tyre në sistemin shtetëror të Kosovës.

Sipas tij, deri më tani, kryetarët e komunave me shumicë serbe ende nuk u kanë dërguar autoriteteve të Kosovës lista të stafit akademik dhe shëndetësor që punojnë në strukturat paralele, në mënyrë që atyre t’u jepen lejet e qëndrimit për një vit.

Shikojeni intervistën e plotë:

Ligji për të huajt parasheh edhe licencim paraprak për profesione të caktuara kur të huajt aplikojnë për leje të punës në Kosovë.

Për shembull, punëtorët shëndetësorë duhet të marrin licencë në Ministrinë e Shëndetësisë për ta ushtruar këtë profesion në Kosovë.

Mirëpo, ende nuk është e qartë nëse diçka e tillë do t’iu kërkohet edhe serbëve që punojnë në institucionet shëndetësore të strukturave paralele.

“Kjo do të mbetet për t’u sqaruar pasi t’i marrim aplikimet, por ne i sigurojmë se do t’iu ofrojmë një leje qëndrimi për 12 muaj, me qëllimin që të vazhdojnë shërbimet në shëndetësi dhe në arsim”, tha Bytyqi për REL-in.

Ai paralajmëroi se do të ketë masa lehtësuese të përkohshme në këtë drejtim përderisa të rregullohet licencimi dhe integrimi i serbëve në sistemin shtetëror të Kosovës.

Sa i përket mundësisë që serbët t’i regjistrojnë faktet civile duke përdorur kartën e identitetit të lëshuar nga strukturat paralele, ai nuk pranoi të komentojë nëse kjo përbën legalizim ose njohje të strukturave paralele serbe nga Kosova.

Sipas tij, në praktikë kjo u mundëson serbëve t’i regjistrojnë ngjarjet si lindjet, vdekjet apo martesat që kanë ndodhur në territorin e Republikës së Kosovës, të cilat deri më tani janë regjistruar vetëm në strukturat paralele.

“Deri më 16 qershor 2026 do të regjistrohen këto fakte që kanë ndodhur në Republikën e Kosovës, ndërsa sa i përket letërnjoftimit të lëshuar nga strukturat paralele ai do të përdoret për leje qëndrimi për ata persona që jetojnë që një kohë të gjatë në Kosovë, por s’kanë dokumente të Kosovës.”

Mes tjerash, Bytyqi tregoi se nuk do të ekzistojë asnjë lloj diskriminimi për shqiptarët e Luginës së Preshevës nga Ligji për të huajt, sepse ai nuk parasheh dallime etnike.

Sipas tij të gjithë personat që jetojnë në Kosovë e nuk kanë shtetësi të Kosovës duhet të pajisen me leje qëndrimi në mënyrë që të mund të punojnë në institucione, qoftë publike apo private.

Gjobat

Në rast të shkeljes së Ligjit për të huajt, parashihen dënime me gjoba prej 100 deri në 300 euro, varësisht nga shkeljet, duke mos u përjashtuar masat ndëshkuese më të rënda sikurse vendimi për largim vullnetar nga Kosova, vendimi për largim me forcë apo ndalesa e hyrjes në Kosovë nga një muaj deri në pesë vjet.

Sa i përket Ligjit për automjete, Qëndrim Bytyqi sqaroi se veturat me targa të huaja nuk mund të qëndrojnë brenda territorit të Kosovës më shumë se tre muaj.

“Pas kalimit të afatit prej tre muajsh, vetura duhet të largohet nga territori i Kosovës, por Ligji nuk e parandalon që vetura të hyjë përsëri në Kosovë”, tha ai duke përmendur se këtu përfshihen pastaj edhe obligime doganore që përcaktojnë afate sa mund të qëndrojë një veturë në Kosovë pa i kryer kontrollet teknike në shtetin prej nga vjen.

Sipas tij, ky rregull përfshin edhe rastet kur mërgimtarët e kanë një veturë në Kosovë që e përdorin në kohën e vizitave.

“Në momentin që një veturë është në Kosovë për një periudhë më të gjatë se tre muaj dhe haset nga Policia e Kosovës, bëhen verifikimet e hyrjes së veturës në kufi dhe nëse konstatohet se vetura ka qëndruar më shumë se tre muaj, Ligji për automjete parasheh gjobë për shoferin dhe parasheh që vetura duhet të dalë nga territori i Kosovës”.

Gjoba në këtë rast parashihet të jetë deri në 200 euro për vozitësin.

Sipas tij, një veturë me targa të huaja nuk mund të vozitet nga persona që kanë vetëm shtetësinë e Kosovës, por vetëm nga pronari i cili e ka shtetësinë e atij vendi nga vjen vetura.

Bytyqi ka treguar se përjashtimet e vetme kur vetura me targa të huaja mund të vozitet nga një kosovar që nuk ka shtetësi apo leje qëndrimi në shtetin prej nga vjen vetura është kur në veturë me të është i pranishëm edhe pronari i saj, apo kur edhe ai kosovar ka lejeqëndrim apo shtetësi të dytë në atë shtet prej nga vjen vetura me një autorizim të lëshuar nga po ai shtet, jo me autorizim të bërë në Kosovë.

Sa u përket mërgimtarëve nga Zvicra që vozisin një veturë atje dhe një tjetër në Kosovë me një palë targa, pasi këtë e mundëson shteti zviceran, Bytyqi tha se vlen njësoj afati 3-mujor i qëndrimit maksimal të asaj veture në Kosovë, pavarësisht se mund të vozitet me targat e njëjta.

Heqja e masave, ja sa është shuma që merr Kosova për asistencë financiare

Komisioni Evropian ditë më parë ka konfirmuar se janë hequr të gjitha masat financiare ndaj Kosovës. Një konfirmim i tillë u bë të martën gjatë debatit për raportin për Kosovën që u zhvillua në Parlamentin Evropian. Përfaqësues i Komisionit Evropian, Jiri Plecity gjatë debatit në PE theksoi se KE ka liruar të gjithë ndihmën financiare që më parë ishte nën masa.
“Mund të konfirmoj se Komisioni Evropian ka liruar të gjithë ndihmën financiare që më parë ishte nën masa dhe gjithashtu po planifikojmë të riangazhohemi plotësisht me homologët tanë në Kosovë në mënyrë që ta rikthejmë Kosovën në rrugën e duhur në agjendën e saj të BE-së”, ishte shprehur Plecity.

Po ashtu bëhet e ditur se lirimi përfundimtar i radhës i fondeve do të përfshijë: 74 milionë euro për projekte në kuadër të programeve vjetore IPA 2021 dhe 2022, si dhe 131 milionë euro për projekte në kuadër të Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF). Ky zyrtar i tha Telegrafit se Komisioni dhe EEAS do të forcojnë angazhimin e tyre me autoritetet e Kosovës.
“Kosova tani pritet gjithashtu të intensifikojë zbatimin e reformave të nevojshme që lidhen me BE-në dhe të avancojë në përmbushjen e obligimeve të marra në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja. BE-ja do të vazhdojë ta ndjekë dhe vlerësojë situatën nga afër”, sqarohet më tej. bw

Gjykata në Prishtinë i dënon me burgim dy serbë për krime lufte në Kosovë më 1999

Radio Evropa e Lirë

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka shpallur fajtorë dhe i ka dënuar me burgim dy ish-pjesëtarët të forcave policore dhe ushtarake të Serbisë për krime lufte në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998- ‘99.

Zoran Kostiq u dënua me 15 vjet burgim, ndërsa Dragan Miloviq me 7 vjet burgim gjatë një seance të mërkurën, njoftoi gjykata.

Gjykata tha se, në dënim, atyre do t’iu llogaritet koha e kaluar në paraburgim, por nuk dha hollësi se kur ishin arrestuar ata.

Ata kanë të drejtë të ankohet ndaj dënimit në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

Për çfarë akuzoheshin ata?

Sipas aktakuzës së ngritur më 16 maj 2024, Zoran Kostiq, si pjesëtar i forcave policore serbe, i armatosur dhe në uniformë, ishte përfshirë drejtpërdrejt në krime kundër civilëve shqiptarë, më saktë kundër familjes Ujkani në një sulm të organizuar nga forcat serbe në shtëpinë e kësaj familjeje në Reznik të Vushtrrisë në maj të vitit 1999.

Kostiq kishte marrë pjesë edhe në plaçkitjen e shtëpive të banorëve shqiptarë, pastaj djegien e shtëpive dhe vrasjen e civilë të paarmatosur në fshatin Reznik.

Tetë persona, në mesin e tyre shumica të familjes Ujkani, u vranë në të këtë sulm.

Kostiq u dënua edhe për urdhërimin e dëbimit të popullatës shqiptare nga shtëpitë e tyre.

Ndërkohë, Miloviq u dënua për maltertimin, torturimin dhe rrahjen e civilëve shqiptarë kur forcat serbe i kishin grumbulluar rreth 20.000 banorë civilë të Vushtrrisë tek varrezat e qytetit në vitin 1999.

Sipas aktakuzës, Miloviq, së bashku me disa policë serbë të armatosur, e kishte ndarë popullatën civile shqiptare, si dhe i kishte detyruar që t’i vendosnin duart e lidhura pas koke dhe të bien me gjunj në kokë për toke, duke i goditur vazhdimisht disa me bastun të hekurt, e disa me shkopinj druri dhe me kondaktë të armëve.

Gjatë luftës në Kosovë, nga viti 1998 deri në 1999, janë vrarë më shumë se 13.000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë janë zhdukur.

Më shumë se 1.500 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur, pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.

Kohët e fundit, autoritetet kosovare kanë arrestuar të dyshuar të shumtë dhe kanë ngritur një sërë aktakuzash për krime lufte në Kosovë.

Ndërkaq, që nga përfundimi i luftës, dhjetëra të dyshuar janë dënuar për këto krime para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

Fillimisht pas luftës, përkatësisht nga viti 2000 dhe 2008, krimet e luftës në Kosovë u hetuan nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa nga viti 2008, nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX).
Më 2018, EULEX-i ia dorëzoi lëndët organeve vendore të drejtësisë.

Gërvalla-Ramës: Qytetarët e Kosovës nuk do ta falin kurrë ortakërinë me Vuçiç

Ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Donika Gërvalla, ka kritikuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, lidhur me një editorial të përbashkët që ai ka publikuar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në gazetën gjermane FAZ.

Ajo tha se qytetarët e Kosovës nuk kanë për t’ia falur këtë artikull kryeministrit Rama.

Ndërsa shtoi se nuk duhet të ketë për Shqipërinë alternativa me Serbinë që nuk kalojnë nëpër Kosovë.

“Nga ana e kryeministrit Rama, i cili i tejkalon edhe ato kur kemi mbyllur njërin sy në të kaluarën, është artikulli i fundit i publikuar së bashku me Vuçiçin në gazetën prestigjioze gjermane. Unë mendoj që qytetarët e Kosovës nuk kanë për t’ia falur atë artikull kryeministrit Rama, sepse krijohet përshtypja herë pas herë që gjithmonë atëherë kur Vuçiqin BE-ja, Europa e mbështet me shpatulla për muri, del Edi Rama dhe e nxjerr nga ajo situatë”.

“Nuk duhet të ketë për Shqipërinë alternativa me Serbinë që nuk kalojnë nëpër Kosovë. Rruga nga Tirana për Beograd çon nëpër Prishtinë, edhe gjeografikisht, edhe ekonomikisht, edhe në çdo aspekt. Kështu, secili kryeministër apo president shqiptar që e harron këtë ta dini që në afatgjatë ka për të bërë gabime të mëdha që kanë për ta dëmtuar kombin tonë më shumë” – tha ajo në RTK.

Kjo deklaratë e Gërvallës vjen pas një editoriali të përbashkët të kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq të publikuar në gazetën gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung.

Sipas saj, problem i artikullit është propozimi që Serbia dhe Shqipëria të hyjnë së bashku në Bashkimin Europian.

“Problemi i artikullit nuk është pse Rama me Vuçiçin shkruajnë një artikull të përbashkët, por problem i atij artikulli është që propozimi është që Serbia dhe Shqipëria të hyjnë së bashku në Bashkimin Europian, duke mos përmendur në asnjë rrokje të vetme, pozicionin që ka Serbia në raport me Perëndimin, Rusinë, Kinën, Venezuelën, Iranin dhe forcat botërore që bien ndesh në çdo aspekt me përcaktimet tona për BE dhe NATO por edhe me përcaktimet e Shqipërisë”- ka thënë ajo.

Kosovë- Ambasada e SHBA mirëpret marrëveshjen për zbatimin e Ligjit për të huajt: Përgëzojmë angazhimin mes palëve!

Ambasada e SHBA në Kosovë ka mirëpritur marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian për zbatimin e Ligjit për të huajt, duke theksuar se çdo ndryshim që prek komunitetin serb duhet të bëhet në konsultim me pjesëtarët e tij.

“E përgëzojmë angazhimin e palëve në këtë çështje për të arritur zgjidhje të pranueshme për të dyja palët”, tha një zëdhënës i ambasadës për Radio Evropa e Lirë.

 

Më herët vendimi i qeverisë së Kosovës u përshëndet edhe nga Britania. Marrëveshja ka nisur zbatimin nga 15 marsi dhe ofron leje të përkohshme qëndrimi dhe njohje të letërnjoftimeve të serbëve që nuk janë pajisur me dokumente të Kosovës, siç e parasheh ligji për të huajt dhe automjetet.

Ligji në fjalë u kërkon të gjithë banorëve që nuk kanë dokumente të Kosovës të pajisen me leje qëndrimi, ndërsa automjetet me targa të huaja nuk do të mund të qarkullojnë në Kosovë më gjatë se tre muaj, ose vetëm në bazë të autorizimit.

Hyrja në fuqi e vendimit nuk do t’i prekë serbët e Kosovës për periudhë 12-mujore.

Bllokimi i Kuvendit rrezikon fatin e marrëveshjeve ndërkombëtare 121-milionëshe

Valbona Bytyqi

Kuvendi i Kosovës ka kohë deri më 31 mars që të ratifikojë marrëveshjen e kredisë mes Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin “Energjia Diellore Fotovoltaike” në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), në vlerë prej 33 milionë eurosh.

Por e gjithë puna e Kuvendit është e ngrirë deri në këtë datë nga Gjykata Kushtetuese, përmes masës së përkohshme të vënë pas kontestimit të dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e legjislaturës së dhjetë.

Marrëveshja për projektin që prek KEK-un, është njëra nga tetë sosh sa i ka legjislatura aktuale në sirtarët e saj.

Ndër to është janë edhe:

  • Marrëveshja për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes
  • Marrëveshja për qasje në arsimin e lartë dhe pranim për studime në Ballkanin Perëndimor
  • Dy amendamente të marrëveshjes financiare mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Programin IPA
  • Dy marrëveshje për kredi me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH): njëra për projektin e efiçencës së energjisë në ndërtesa publike dhe për impiante për trajtimin e ujërave të zeza në Podujevë dhe
  • Marrëveshja për kredi me Fondin Saudit për Zhvillim për projektin e rrugës Prishtinë-Mitrovicë.

Vlera e katër prej këtyre marrëveshjeve, duke përfshirë edhe atë me Bankën Evropiane për Investime, shkon në 121 milionë euro.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arlind Manxhuka, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se afatet për miratimin e këtyre marrëveshjeve janë të ngushta dhe “kërkojnë procedim të shpejtë nga ana e Kuvendit”.

Nga Banka Evropiane e Investimeve thanë se ratifikimi i marrëveshjes “është i nevojshëm për ofrimin e financimit të propozuar”.

“Ratifikimi i marrëveshjes do t’i mundësonte Kosovës të ecë përpara me ndërtimin e njërit prej centraleve të saj më të mëdha fotovoltaike diellore, me një kapacitet deri në 100 megavatë. Projekti pritet të forcojë sigurinë energjetike të vendit duke rritur pjesën e energjisë së rinovueshme të prodhuar në vend dhe duke zvogëluar varësinë nga gjenerimi me bazë qymyri. Ai gjithashtu do të mbështeste qëllimet më të gjera të tranzicionit të gjelbër të Kosovës, pasi centrali pritet të gjenerojë rreth 169 gigavatë energji elektrike në vit dhe do t’i ulte ndjeshëm emetimet e dyoksidit të karbonit sapo të vihet në funksion”.

Vlera e marrëveshjeve

Njohës të punës së Kuvendit konsiderojnë se marrëveshjet kanë ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve dhe në forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës.

“Në thelb, ratifikimi i këtyre marrëveshjeve nënkupton përshpejtim të investimeve publike, rritje të stabilitetit institucional dhe përfitime konkrete afatmesme dhe afatgjata për qytetarët”, tha për Radion Evropa e Lirë, Melos Kolshi, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD).

Por, sipas hulumtueses së Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Violeta Haxholli, situata aktuale “krijon një pasiguri institucionale”.

“Meqenëse marrëveshjet ndërkombëtare duhet të ratifikohen nga Kuvendi me shumicë të kualifikuar prej dy të tretave, çdo bllokim në funksionimin e tij e shtyn automatikisht edhe procesin e ratifikimit. Kjo do të thotë se, derisa të ketë një qartësi për funksionimin e plotë të legjislativit, është e vështirë të parashikohet se kur mund të procedohen këto marrëveshje për miratim”, tha ajo.

Nga Lëvizja Vetëvendosje, parti në pushtet, thanë se këto marrëveshje kanë planifikuar t’i miratojnë të premten e 6 marsit, një ditë pas dështimit për ta zgjedhur presidentin e ri. Seanca nuk u mbajt pasi Osmani nxori në mëngjesin e asaj dite dekretin për shpërndarje të Kuvendit.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, i tha Radios Evropa e Lirë se këto katër marrëveshje “kanë rëndësi të veçantë për zhvillimin ekonomik, përmirësimin e infrastrukturës, mbrojtjen e mjedisit dhe rritjen e efiçiencës energjetike në vend”.

“Prandaj, miratimi i tyre sa më i shpejtë është në interes të drejtpërdrejtë të qytetarëve dhe të zhvillimit të qëndrueshëm të Kosovës. Në rrethana të tilla, është e rëndësishme që këto projekte strategjike të mos mbeten peng i zhvillimeve politike, por të avancohen sa më parë për të sjellë përfitime konkrete për vendin dhe qytetarët”.

Pasojat e mosratifikimit të marrëveshjeve

Violeta Haxholli thotë se mosratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare ndikon në vonesat për zbatimin e projekteve dhe në imazhin e shtetit në arenën ndërkombëtare.

“Edhe pse partnerët ndërkombëtarë zakonisht i kuptojnë situatat e brendshme politike, vazhdimi i bllokadave institucionale mund të ndikojë në ritmin e bashkëpunimit dhe në besimin për zbatimin e projekteve të përbashkëta”, tha ajo.

Kolshi sheh pasoja të shumëfishta, edhe brenda edhe jashtë Kosovës.

“Në një kontekst global të ndryshimeve gjeopolitike dhe rikonfigurimit të prioriteteve të politikës së jashtme të aktorëve të mëdhenj ndërkombëtarë, përfshirë edhe administratën amerikane, është jetike që Kosova të dëshmojë seriozitet institucional dhe kapacitet vendimmarrës për t’i ruajtur dhe forcuar partneritetet strategjike”.

Radio Evropa e Lirë i ka pyetur edhe institucionet tjera që i sponsorojnë këto marrëveshje – BE-në, BERZH-in dhe Fondin Saudit për Zhvillim – se me çfarë pasojash eventuale mund të përballet Kosova nga pamundësia për t’i ratifikuar dokumentet, por nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

Domosdoshmëria e konsensusit politik

Duke marrë parasysh faktin që për miratim të marrëveshjeve ndërkombëtare nevojiten dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës, konsensusi politik është kyç.

Hulumtuesja e KDI-së, Haxholli, përmend se është shumë e rëndësishme që marrëveshjet të trajtohen “përtej interesave të momentumit politik”.

“Në shumicën e rasteve, këto marrëveshje lidhen me zhvillimin e vendit, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët. Prandaj, është e rëndësishme që debati politik të fokusohet në përmbajtjen dhe përfitimet e tyre, duke siguruar që procesi i ratifikimit të zhvillohet në mënyrë transparente dhe në kohë”, theksoi ajo.

Kolshi nga IKD-ja thotë se Kuvendi tashmë është përballur me vonesa “të konsiderueshme”.

“Përgjegjësi e veçantë bie edhe mbi Qeverinë aktuale, e cila përveç rolit negociues në marrëveshje ndërkombëtare, duhet të tregojë lidership politik dhe kapacitet për të ndërtuar konsensus institucional dhe stabilitet me Kuvendin dhe aktorët e tjerë politikë”.

Kjo nuk është hera e parë që Kosova rrezikon t’i humbë fondet nga marrëveshjet ndërkombëtare, për shkak të problemeve të brendshme.

Legjislatura aktuale mezi i arriti afatet e nevojshme për të përfituar nga marrëveshjet me Bankën Botërore dhe atë me BE-në në kuadër të Planit të Rritjes. Shuma e tri marrëveshjeve në total prek vlerën e rreth 1 miliard eurove.

Fjala e plotë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në konferencën e përbashkët për media pas takimit me Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sørensen

 

 

Prishtinë, 14 mars 2026

 

Mirëmëngjesi të gjithëve,

I nderuari z. Sorensen,

I nderuari ambasador Orav,

 

 

Faleminderit shumë për vizitën tuaj në Kosovë dhe për gatishmërinë tuaj dhe të ekipit tuaj që më shumë e më shpesh të vini të vizitoni këtu në mënyrë që bashkërisht të trajtojmë sfidat tona në procesin e normalizimeve të raporteve me fqinjin tonë verior.

Të nderuar qytetarë, siç edhe jeni informuar dhjetëra herë në këta dy muajt e fundit, nga data 15 fillon zbatimi i plotë i dy ligjeve të rëndësishme për sigurinë tonë si individuale ashtu edhe nacionale, por edhe për menaxhim më efikas të migrimit si dhe qarkullimit në trafik. Është fjala për ligjin për të huajt dhe atë për veturat, të dyja këto në harmoni të plotë me direktivat e Bashkimit Evropian. Duke filluar nga data 15 janar e këtij viti, ne kemi nisur me fazën e parë të zbatimit të këtyre ligjeve, fazë kjo më shumë e orientuar në qartësim, informim dhe vetëdijesim për qytetarët rreth obligimeve dhe të drejtave shtesë të cilat burojnë për ta nga dispozitat e këtyre dy ligjeve; por njëkohësisht fazë e përdorur për të bërë përgatitjet e duhura që garantojnë një zbatim efektiv të ligjeve. Lista e aktiviteteve të ndërmarra dhe institucioneve të përfshira është jashtëzakonisht e gjatë, dhe falënderoj secilin e secilën që kanë qenë të përfshirë dhe kanë kontribuar në këto aktivitete. Ministria e Punëve të Brendshme si bartëse e këtij procesi na ka mbajtur ne dhe ju të dashur qytetarë në vazhdimësi të informuar për spektrin e këtyre aktiviteteve dhe për përgatitjet e bëra.

 

Tash 15 marsi është afruar dhe besoj që gjithçka është gati për një fillim të mbarë. Jam i sigurt se të gjithë ne do dalim fitues nga zbatimi këtyre dy ligjeve e besoj fuqishëm që më së shumti do të përfitojnë ata të cilëve edhe u drejtohet ky ligj. Pra të huajt që falë rregullave të përcaktuara me ligj do të kenë më shumë siguri gjatë qëndrimit të tyre në vend, më shumë parashikueshmëri e me shumë efikasitet gjatë përpunimit të aplikimeve të tyre. Kjo vlen sidomos për ata që Kosovën e shohin edhe si mundësi për të qëndruar më gjatë dhe destinacion të përshtatshëm për të siguruar mirëqenien e tyre ekonomike.

 

Të nderuar qytetarë, nga zbatimi i këtij ligji do të preken edhe një numër i konsiderueshëm i qytetarëve që vijnë apo qëndrojnë në Kosovë nga Presheva, Medvegja, Bujanoci, Vranja dhe qytete  tjera të Serbisë. Një pjesë e tyre janë të angazhuar në ofrimin e shërbimeve shëndetësore dhe edukative në sistemin ilegal paralel të financuar nga Serbia. Dua të potencoj që nuk është interes i Republikës së Kosovës që zbatimi i ligjit për të huajt dhe i atij për veturat të prodhojë pengesa në ofrimin e shërbimeve bazike për qytetarët. Por poashtu dua të theksoj fuqishëm, që njësoj është qëndrimi i Republikës së Kosovës, që në Kosovë nuk duhet dhe nuk mund të ketë mekanizma ilegal të cilët mirëmbahen e financohen nga një shtet jomiqësor e që nuk e njeh Republikën e Kosovës.

 

Në këtë drejtim, Qeveria e Republikës së Kosovës ka nënvizuar rëndësinë e inkorporimit të plotë të sistemit të edukimit dhe atij shëndetësor në komunat me shumicë serbe brenda kornizës ligjore të Republikës së Kosovës. Ky legalizim në praktikë do të përkthehet jo vetëm në zbatim të plotë të ligjit gjithandej Republikës së Kosovës, por edhe në më shumë cilësi të këtyre shërbimeve,  më shumë financim, më shumë prezencë dhe e tëra kjo nënkupton më shumë siguri për qytetarët të cilët i konsumojnë të njëjtat shërbime. Pra qëllimi final i inkorporimit nuk është zvogëlim i cilësdo së drejtë, por fuqizim i tyre. Rrjedhimisht asnjë qytetar i Republikës së Kosovës nuk e ka arsyen më të vogël që t’i druhet këtij inkorporimit, por t’i gëzohet benefiteve të cilat do të rezultojnë nga ky proces.

 

Natyrisht se për ne është e qartë që i gjithë procesi i legalizimit merr kohë. Poashtu e nënvizoj që i gjithë ky proces do të bëhet në koordinim të ngushtë me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për dialog, por edhe në koordinim e në konsultim të vazhdueshëm me serbët lokal. Për ne është me rëndësi që gjatë legalizimit, qytetarët e komunitetit serb të besojnë në përfitimet nga procesi si dhe detyrimet të cilat burojnë nga marrëveshjet e arritura në dialogun e Brukselit dhe korniza ligjore e Republikës së Kosovës.

 

Nisur nga ky kontekst dhe për të kryer procesin e legalizimit duke u siguruar që nuk vie deri te pengesat në ofrimin e shërbimeve bazike në arsim dhe në shëndetësi, Qeveria e Republikës së Kosovës do fillojë me inkorporimin e sistemit arsimor dhe shëndetësor brenda kornizës ligjore të vendit tonë. Qeveria do të pajiset nga krerët lokal me listat e stafit akademik dhe shëndetësor që janë të angazhuar në ofrimin e këtyre shërbimeve, lista këto që pastaj do të shërbejnë si bazë për dhënien e lejeve të përkohshme të qëndrimit për qytetarët e huaj që aplikojnë te Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Kosovës. Mospërputhjet eventuale në raste individuale do të verifikohen nga autoriteti përkatës. E njëjta vlen edhe për studentët e huaj që qëndrojnë në Republikën e Kosovës për qëllime studimore, për të cilët krerët komunal do të ofrojnë listën e plotë të tyre me informatat e detajizuara për fushën e studimit dhe vitin akademik. Këtyre studentëve, pas aplikimit të suksesshëm, Ministria e Punëve të Brendshme do ju ofrojë leje të përkohshme të qëndrimit me afat 12 mujor, me mundësi vazhdimi në rast të vazhdimit të studimeve. E njëjta procedurë aplikohet edhe për aplikantët e ri që regjistrohen në vitet e mëvonshme akademike. Paralelisht me këtë, Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, në koordinim të vazhdueshëm me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian dhe në bashkëpunim me ofruesit e këtyre shërbimeve publike fillojnë procedurat e domosdoshme dhe përcaktojnë afatet optimale për inkorporim të plotë, përfshirë këtu licensimin e institucioneve dhe të stafit të angazhuar.

 

Qeveria e Republikës së Kosovës poashtu do të hap një dritare të re 3 mujore për të mundësuar qytetarëve të nacionalitetit serb të regjistrojnë faktet civile të cilat deri me datën 15 mars 2026 janë regjistruar nga strukturat ilegale. Në këtë periudhë, aplikantëve do i lejohet edhe përdorimi, ekskluzivisht si mjet identifikimi i ID kartës të lëshuar nga strukturat jolegale. Ministria e Punëve të Brendshme do të nxjerr udhëzime të detajizuara që mundësojnë regjistrimin e këtyre fakteve brenda Sistemit Qendror të Regjistrit Civil të Republikës ë Kosovës.

 

Të nderuar qytetarë, kjo e dëshmon edhe një herë përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për zbatim të plotë të sovranitetit në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, për trajtim të barabartë dhe pa asnjë diskriminim të të gjithë qytetarëve tanë si dhe për ofrim të shërbimeve publike cilësore e të standardizuara.

Ju faleminderit të gjithëve!/Zyra e Kryeministrit

15 marsi sjell rregulla të reja për të huajt dhe automjetet në Kosovë

Sandra Cvetkoviq

Qeveria e Kosovës ra dakord që të lëshojë leje të përkohshme qëndrimi për 12 muaj për pjesëtarët e komunitetit serb, që nuk kanë dokumente të Kosovës, dhe t’i njohë kartat e identitetit të lëshuara nga autoritetet serbe – gjëra që do t’i zbusin pasojat e zbatimit të plotë të Ligjit për të huajt dhe për automjetet.

Sipas njoftimit të fundit nga autoritetet e Kosovës, zbatimi i plotë i Ligjit për të huajt dhe për automjetet do të fillojë më 15 mars.

Bazuar në këto ligje, të gjithë ata që nuk kanë dokumente të Kosovës, do të duhet të marrin leje qëndrimi, ndërsa automjetet me targa të huaja nuk do të mund të qarkullojnë në trafik në Kosovë për më shumë se tre muaj, ose në bazë të autorizimit.

Masat e reja lehtësuese për pjesëtarët e komunitetit serb vijnë pas një takimi që zhvilluan kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, më 14 mars në Prishtinë.

Zbatimi i plotë i Ligjit për të huajt dhe për automjetet kundërshtohet nga pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë, përfaqësuesit e tyre politikë dhe sektori civil, të cilët argumentojnë se një gjë e tillë do të ndikojë negativisht te komunitetet pakicë, si dhe te sektorët e shëndetësisë dhe arsimit që veprojnë brenda sistemit të Serbisë në mjediset me shumicë serbe.

Kjo, për faktin se masat do të preknin pjesëtarët e komunitetit serb që nuk kanë dokumente të Kosovës, por jetojnë, punojnë ose studiojnë në Kosovë.

Për shembull, në Universitetin e Mitrovicës së Veriut – i cili vepron brenda sistemit serb – qytetarët serbë punojnë ose studiojnë dhe do të duhet të kenë leje pune ose leje qëndrimi.

Në praktikë, marrja e lejes për punë ose studime mund të jetë problematike, sepse Kosova nuk i njeh institucionet e Serbisë, duke i konsideruar ato si paralele dhe të paligjshme.

Në konferencën për media me Sorensenin dhe kreun e zyrës së BE-së në Prishtinë, Aivo Orava, kryeministri Kurti tha se do të vazhdojë të punojë për integrimin e arsimit dhe shëndetësisë serbe në sistemin e Kosovës.

Lejet e qëndrimit për punonjësit e shëndetësisë dhe arsimit, shtoi ai, do të lëshohen në mënyrë që serbët vendas të mos mbeten pa shërbime bazë, ndërkohë që integrimi është në proces.

“Udhëheqësit lokalë do t’i paraqesin Qeverisë listat e stafit akademik dhe shëndetësor, të angazhuar në ofrimin e këtyre shërbimeve. Këto lista do të përdoren më pas për të lëshuar leje të përkohshme qëndrimi për qytetarët e huaj që aplikojnë në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës”, tha Kurti.

Ai theksoi se e njëjta gjë vlen edhe për studentët serbë që qëndrojnë në Kosovë për arsimim.

Sa i përket zbatimit të plotë të Ligjit për automjetet, për pjesëtarët e komunitetit serb ishte problematike se disa prej tyre, pas heqjes së targave serbe nga përdorimi më 2022/2023, i riregjistruan makinat e tyre me targa qytetesh në Serbi dhe i drejtuan ato me autorizim.

E, ky autorizim përmban të dhënat e kartës së identitetit të shoferit, të lëshuar nga autoritetet serbe për qytetet në Kosovë, të cilat Prishtina zyrtare nuk i njeh, por i ka toleruar deri më tani.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha në një intervistë për Radio Televizionin e Serbisë më 12 mars se pret ndihmë edhe nga “evropianët” lidhur me zbatimin e plotë të ligjeve për të huajt dhe automjetet, duke shtuar se “jemi në rrugë për të gjetur zgjidhje që nuk do të nënkuptonin katastrofë për popullin serb”.

Protesta dhe thirrje për shtyrje të zbatimit

Një grup studentësh dhe profesorësh në Universitetin e Mitrovicës së Veriut mbajtën disa protesta kundër zbatimit të plotë të Ligjit për të huajt, duke paralajmëruar se zbatimi i tij do të ndikojë në funksionimin e fakulteteve që punojnë nën sistemin serb.

Zyrtarë të lartë të Kosovës, përfshirë kryeministrin Albin Kurti, kanë thënë në disa raste se, përveç zbatimit të Ligjit për të huajt, duhet të punohet edhe për integrimin e kujdesit shëndetësor dhe të arsimit serb, sepse “sistemi i dyfishtë nuk është i qëndrueshëm”.

Bashkimi Evropian deklaroi më herët për Radion Evropa e Lirë se statusi i strukturave dhe shërbimeve të kujdesit shëndetësor dhe arsimor, të mbështetura nga Serbia në Kosovë, do të zgjidhet brenda kornizës së dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit, në përputhje me marrëveshjet e arritura dhe ligjet aktuale të Kosovës.

Beogradi zyrtar këmbëngul, gjithashtu, në integrimin e kujdesit shëndetësor dhe të arsimit në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit, ashtu si edhe Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e autoriteteve aktuale në Serbi.

Më herët, disa organizata joqeveritare serbe listuan pasoja të ndryshme për komunitetin serb, për shkak të zbatimit të këtyre dy ligjeve, dhe bënë thirrje për dialog dhe gjetjen e një zgjidhjeje kompromisi.

Si u zhvillua faza e parë e zbatimit të ligjit?

Gjatë dy muajve të fundit, Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës, në kuadër të një fushate informuese, lëshoi udhëzime për zbatimin e Ligjit për të huajt dhe automjetet, zhvilloi diskutime me qytetarët, hapi një linjë telefonike informacioni dhe Qeveria formoi një grup pune me ekspertë.

Megjithatë, një grup i OJQ-ve serbe tha se të gjitha aktivitetet e autoriteteve të Kosovës ishin “vetëm formale”, pa mbështetje të vërtetë në terren.

Në këtë kontekst, OJQ-ja Aktiv tha më 2 mars se qytetarët nuk kanë ende përgjigje në pyetjen kryesore: si do të zbatohet në praktikë Ligji për të huajt dhe ai për automjetet?

Por, sipas udhëzimeve dhe broshurave të publikuara nga Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës, që nga 16 marsi, kushdo që nuk ka dokumente të Kosovës, do të duhet të ketë një leje qëndrimi të përkohshme dhe t’i përmbushë kushtet tjera të përcaktuara me ligj, varësisht nga qëllimi i qëndrimit.

Një leje qëndrimi duhet të kërkohet brenda 72 orëve nga hyrja në Kosovë.

Gjithashtu, shtetasit e huaj mund të qëndrojnë në Kosovë deri në 90 ditë, dhe çdo qëndrim më i gjatë kërkon paraqitjen e kërkesës për leje qëndrimi.

Nëse dikush i shkel këto rregulla, autoritetet kompetente mund të marrin masa të përcaktuara me ligj, të cilat mund të përfshijnë revokimin e lejes së qëndrimit, vendosjen e gjobës, dëbimin ose ndalimin e hyrjes në territorin e Kosovës.

Ligji për automjete përcakton që një automjet me targa të huaja, përfshirë targat serbe, nuk mund të drejtohet për më shumë se tre muaj.

Nëse dikush nuk i përmbahet këtij ligji, policia mund të shqiptojë gjobë deri në 200 euro.

Reagimet e Beogradit

Zbatimi i plotë i ligjeve për të huajt dhe automjetet në Kosovë është kritikuar ashpër edhe nga Beogradi, i cili i ka përshkruar si “masa diskriminuese”.

Në fund të shkurtit, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, i tha përfaqësuesit special të BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, se zbatimi i rreptë i këtyre ligjeve do të rrezikonte më shumë se 10.000 serbë që jetojnë dhe punojnë në Kosovë.

Ai vlerësoi se zbatimi i tyre do të çonte në “spastrim administrativ etnik të serbëve”.

Serbët në Kosovë druhen nga integrimi i institucioneve të arsimit dhe shëndetësisë

Ai, po ashtu, tha se është e nevojshme që të diskutohet urgjentisht draft-statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të cilin e përshkroi si “gurthemel të mbrojtjes së të drejtave kolektive dhe individuale të serbëve”.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe u dakordua në vitin 2013 me Marrëveshjen e parë të Brukselit, ndërsa për parimet u arrit pajtimi në vitin 2015.

Ai përmendet edhe në Marrëveshjen për Rrugën drejt Normalizimit të Marrëdhënieve, të cilën Kosova dhe Serbia e pranuan në vitin 2023, e pas së cilës Bashkimi Evropian hartoi një draft-statut.

Përgatiti: Valona Tela

Opozita e hapur për takime me Kurtin për çështjen e presidentit vetëm pas aktgjykimit të Kushtetueses

Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), dhe Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), gjatë një seance të Kuvendit të Kosovës në Prishtinë. Prill 2025.

 

Radio Evropa e Lirë

Opozita është shprehur e hapur të premten ndaj ftesës së kryeministrit Albin Kurti për t’u takuar për të biseduar në lidhje me zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, por ka ngulur këmbë se takimet mund të zhvillohen vetëm pasi gjykata më e lartë e vendit ta nxjerrë aktgjykimin e saj mbi çështjen.

Duke folur për media në një ngjarje në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Kurti tha të premten se do ta ftojë opozitën për takime javën e ardhshme dhe e cilësoi si “të dëmshme dhe të gabuar” mungesën e takimeve në dy ditët e fundit para mesnatës se 5 marsit, kur Kuvendi u mblodh për të votuar për presidentin e ri.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ishte i shpejtë në përgjigjën e tij, duke shprehur gatishmëri për takim, por jo para se Kushtetuesja ta publikojë aktgjykimin e saj.

“Verdikti i Gjykatës duhet pritur me respekt të plotë institucional dhe me qetësi politike. Një orë pas verdiktit, mund të takohemi sërish”, shkroi Abdixhiku në Facebook.

Partia Demokratike e Kosovës, forca kryesore opozitare në Kuvend, ndau qëndrimin e LDK-së, duke thënë se është e gatshme për takim, por jo tani për tani.

“Në rrethanat aktuale, duke pasur parasysh se Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme që pezullon procesin e zgjedhjes së presidentit dhe çdo veprim të mëtejshëm të Kuvendit në këtë drejtim, PDK vlerëson se është e domosdoshme të pritet vendimi përfundimtar i Gjykatës”, thuhet në një njoftim të partisë.

Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, e kritikoi Kurtin duke thënë se ai dëshiron t’i ikë përgjegjësisë dhe ta shtyjë vendin drejt zgjedhjeve sipas llogarisë së tij politike.

“Në pamje të parë duket konstruktiv, por në fakt po përgatit terrenin që, nëse nuk ka epilog pozitiv sipas tij, fajin ta hedhë mbi opozitën dhe Gjykatën”, tha Tahiri në Facebook.

Kurti s’e kishte ftuar AAK-në në takimet e kaluara rreth çështjes së presidentit dhe nuk është e qartë nëse do ta bëjë tani.

Kosova nuk arriti ta zgjedhë më 5 mars pasuesin e presidentes Vjosa Osmani – të cilës i mbaron mandati më 4 prill – dhe çështja u dërgua në gjykatën më të lartë të vendit për shkak të krizës procedurale dhe interpretimeve të ndryshme kushtetuese.

Në fillim të kësaj jave, Gjykata Kushtetuese e pezulloi deri më 31 mars një dekret të presidentes Osmani, përmes të cilit ajo e kishte shpërndarë Kuvendin e Kosovës më 6 mars, një ditë pasi dy kandidatët e propozuar nga partia në pushtet e Kurtit, Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçaku-Mullhaxha, nuk u hodhën fare në votim në mungesë të kuorumit.

Vendimi i Kushtetueses nënkupton se Osmani nuk mund të shpallë zgjedhje të reja dhe Kuvendi nuk mund ta vazhdojë me seancën për zgjedhjen e presidentit deri më 31 mars.

Partitë opozitare e pamundësuan votimin sepse e braktisën sallën, pasi kishin dështuar bisedimet paraprake me Kurtin për një emër që do ta gëzonte mbështetjen e nevojshme.

I pyetur të premten se si mendonte se do të arrihej një marrëveshje duke ditur qëndrimet e opozitës, Kurti tha: “Gjasa për konsensus përcaktohet vetëm nga të tjerët për shkak se gatishmëria jonë për konsensus është e plotë”.

Kurti e përsëriti qëndrimin se vendi nuk duhet të shkojë në zgjedhje të reja, pasi sipas tij, diçka e tillë nuk është, as e drejtë, as e dobishme.

“Prandaj, është e domosdoshme të kemi marrëveshje me partitë opozitare për zgjedhjen e presidentit. Qytetarët e Republikës presin prej neve stabilitet institucional dhe jo zgjedhje të përsëritura, pra, nuk ka nevojë për zgjedhje të përsëritura, ka nevojë që sa më parë të kemi aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të fillojë Kuvendi të punojë”, deklaroi ai.

Sipas Kurtit, nuk bëhet fjalë se kush e ka shumicën dërmuese, por çështja është te kuorumi prej 80 deputetëve.

“Nuk besoj që na duhen zgjedhje të reja për të pasur garë se a po i bëjmë 80 deputetë”, tha ai.

Ndërkohë, presidentja Osmani nuk u paraqit si kandidate nga asnjë parti, edhe pse partia e Kurtit pretendoi se ia kishte ofruar mundësinë.

Për partinë në pushtet, ajo nuk i ka pasur votat e nevojshme, ndërsa për partitë e tjera ajo nuk e ka personifikuar unitetin e nevojshëm që i duhet figurës së presidentit.

Presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para apo me 61 vota në rundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mundë të mbahet.

Kosova pajtohet t’u ofrojë lehtësira të përkohshme qytetarëve serbë në Ligjin për të huaj

Radio Evropa e Lirë

Qeveria e Kosovës është pajtuar t’u ofrojë leje të përkohshme qëndrimi dhe t’ua njohë letërnjoftimet pjesëtarëve të komunitetit serb që nuk janë të pajisur me dokumenteve kosovare në Ligjin për të huaj dhe atë për automjetet, që do të fillojnë të zbatohen plotësisht nga e diela.

Zotimi i Qeverisë së kryeministrit Albin Kurti vjen pas një takimi në Prishtinë me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Peter Sorensen, të shtunën në mëngjes.

Këto dy ligje filluan së zbatuari më 15 janar por vetëm si një fushatë informuese për procedurat dhe rregullat e zbatimit të këtyre ligjeve.

Ato do të hyjnë plotësisht në fuqi të dielën dhe kërkojnë që të gjithë ata që nuk kanë dokumente të Kosovës të pajisen me leje qëndrimi, ndërsa automjetet me targa të huaja nuk do të mund të qarkullojnë në Kosovë më gjatë se tre muaj ose vetëm në bazë të autorizimit.

Pas takimit të së shtunës, kjo nuk do të vlejë tani për tani për serbët e Kosovës pa dokumente kosovare, pasi ata kanë mundësi të marrin leje të përkohshme qëndrimi prej 12-muajsh, si dhe të bartin si mjet identifikimi letërnjoftimet e lëshuara nga struktura të jashtëligjshme në vend.

Duke folur në një konferencë për media me Sorensenin dhe shefin e zyrës së BE-së në Prishtinë, Aivo Orav, Kurti u zotua se Qeveria do të vazhdojë punën për shkrirjen e plotë të sistemit arsimor dhe shëndetësor serb në sistemin e vetëm të Kosovës.

Ai tha se është pajtuar për të mundësuar leje të përkohshme qëndrimi për punonjësit shëndetësorë dhe ata të arsimit, në mënyrë që serbëve lokalë të mos u mungojnë shërbimet bazike derisa Kosova t’i shkrijë ato plotësisht brenda sistemit të vet.

“Qeveria do të pajiset nga krerët lokalë me lista të stafit akademik dhe shëndetësor të angazhuar në ofrimin e këtyre shërbimeve, këto lista pastaj do të shërbejnë për dhënien e lejeve të përkohshme të qëndrimit për qytetarët e huaj që aplikojnë te Ministria e brendshme e Kosovës”, tha Kurti.

Ai theksoi se e njëjta vlen edhe për studentët serbë që qëndrojnë në Kosovë për studime, për të cilët krerët komunalë do të ofrojnë listën e tyre me hollësi për fushën e studimeve për t’iu dhënë leje të përkohshme qëndrimi me afat 12-mujor, dhe me mundësi vazhdimi nëse i vazhdojnë studimet.

“Në të njëjtën kohë, Ministria e Arsimit, në bashkërendim me Sorensenin dhe me ofruesit e këtyre shërbimeve publike, fillojnë procedurat e domosdoshme dhe përcaktojnë afatet për inkorporim të plotë, përfshirë licencimin e institucioneve dhe të stafit të angazhuar”, tha Kurti.

Ndërkohë, Sorensen tha se pati takim “të mirë” me Kurtin dhe se e mirëpret angazhimin e Kosovës ndaj sundimit të ligjit dhe vendimin e saj të dhjetorit për të zbatuar gradualisht Ligjin për të huajt dhe atë për automjetet, gjë që mundëson një fushatë gjithëpërfshirëse dhe të qasshme informuese për ata që preken.

“E konsideruam si prioritet kyç që Qeveria e Kosovës të sigurojë leje qëndrimi për punëtorët dhe studentët e përfshirë për një periudhë fillestare prej 12 muajsh, me qëllim parandalimin e çdo ndërprerjeje të shërbimeve shëndetësore dhe arsimore”, tha Sorensen.

Ai tregoi se Kosovës iu kërkua të lejojë përdorimin e letërnjoftimeve të lëshuara jo më vonë se 15 mars 2026 nga Serbia për ata që jetojnë në Kosovë, si mjet identifikimi për proceset administrative.

Kurti njoftoi se Qeveria e tij do ta hapë një dritare tremujore për t’ua mundësuar qytetarëve të kombësisë serbëve për t’i “regjistruar faktet”.

“Në këtë periudhë aplikantëve do t’iu lejohet ekskluzivisht përdorimi si mjet identifikimi i letërnjoftimeve të lëshuara nga strukturat ilegale, ndërsa Ministria e Brendshme do ta bëjë regjistrimin e këtyre fakteve brenda sistemit qendror të regjistrit civil të Kosovës”, theksoi Kurti.

Zbatimin e plotë të ligjeve për të huajt dhe për automjetet e është kundërshtuar vazhdimisht nga pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë, përfaqësuesit e tyre politikë dhe organizatat e shoqërisë civile.

Ata argumentojnë se këto masa do të kishin ndikim negativ te komunitetet pakicë, si dhe te sektorët e shëndetësisë dhe arsimit, që në zonat me shumicë serbe funksionojnë në kuadër të sistemit të Serbisë.

A do të shkojë Kosova sërish në zgjedhje? Kurti: Do të ftoj opozitën për takime të reja në lidhje me zgjedhjen e Presidentit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të premten se do t’i ftojë në takim liderët e partive opozitare për të biseduar në lidhje me zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, një çështje që ka përfunduar në Gjykatën Kushtetuese.

Duke folur për media në një ngjarje në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Kurti e cilësoi si “të dëmshme dhe të gabuar” mungesën e takimeve në dy ditët e fundit para mesnatës se 5 marsit, kur Kuvendi u mblodh për të votuar për presidentin e ri.

Por ai tha se sot do t’iu dërgojë ftesa kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, dhe atij të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, për takime në fillim të javës së ardhshme.

Abdixhiku ishte i shpejtë në përgjigjën e tij, duke shprehur gatishmëri për takim, por jo para se Kushtetuesja ta publikojë aktgjykimin e saj për këtë çështje.

“Verdikti i Gjykatës duhet pritur me respekt të plotë institucional dhe me qetësi politike. Një orë pas verdiktit, mund të takohemi sërish”, shkroi Abdixhiku në Facebook.

Kosova nuk arriti ta zgjedhë më 5 mars pasuesin e presidentes Vjosa Osmani – të cilës i mbaron mandati më 4 prill – dhe çështja u dërgua në gjykatën më të lartë të vendit për shkak të krizës procedurale dhe interpretimeve të ndryshme kushtetuese.

Në fillim të kësaj jave, Gjykata Kushtetuese e pezulloi deri më 31 mars një dekret të presidentes Osmani, përmes të cilit ajo e kishte shpërndarë Kuvendin e Kosovës më 6 mars, një ditë pasi dy kandidatët e propozuar nga partia në pushtet e Kurtit, Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçaku-Mullhaxha, nuk u hodhën fare në votim në mungesë të kuorumit.

Vendimi i Kushtetueses nënkupton se Osmani nuk mund të shpallë zgjedhje të reja dhe Kuvendi nuk mund ta vazhdojë me seancën për zgjedhjen e presidentit deri më 31 mars.

Partitë opozitare e pamundësuan votimin sepse e braktisën sallën, pasi kishin dështuar bisedimet paraprake me Kurtin për një emër që do ta gëzonte mbështetjen e nevojshme.

I pyetur të premten se si mendonte se do të arrihej një marrëveshje duke ditur qëndrimet e opozitës, Kurti tha: “Gjasa për konsensus përcaktohet vetëm nga të tjerët për shkak se gatishmëria jonë për konsensus është e plotë”.

Kurti e përsëriti qëndrimin se vendi nuk duhet të shkojë në zgjedhje të reja, pasi sipas tij, diçka e tillë nuk është, as e drejtë, as e dobishme.

“Prandaj, është e domosdoshme të kemi marrëveshje me partitë opozitare për zgjedhjen e presidentit. Qytetarët e Republikës presin prej neve stabilitet institucional dhe jo zgjedhje të përsëritura, pra, nuk ka nevojë për zgjedhje të përsëritura, ka nevojë që sa më parë të kemi aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të fillojë Kuvendi të punojë”, deklaroi ai.

Sipas Kurtit, nuk bëhet fjalë se kush e ka shumicën dërmuese, por çështja është te kuorumi prej 80 deputetëve.

“Nuk besoj që na duhen zgjedhje të reja për të pasur garë se a po i bëjmë 80 deputetë”, tha ai.

Ndërkohë, presidentja Osmani nuk u paraqit si kandidate nga asnjë parti, edhe pse partia e Kurtit pretendoi se ia kishte ofruar mundësinë.

Për partinë në pushtet, ajo nuk i ka pasur votat e nevojshme, ndërsa për partitë e tjera ajo nuk e ka personifikuar unitetin e nevojshëm që i duhet figurës së presidentit.

Presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para apo me 61 vota në rundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mundë të mbahet./ REL


Send this to a friend