Problemi i dhënies dhe marrjes mes kulturës çame dhe asaj greke në veçanti, por edhe asaj shqiptare e greke apo kulturave të popujve ballkanikë në përgjithësi, është pak e studiuar, por edhe kur është trajtuar, vihet re jo vetëm një subjektivizëm i skajshëm, apo edhe shovinizëm kulturor “alla ballkanik”. Do të mjaftonte të sjell në kujtesë studiuesit serbë, të cilët të paktën prej një shekulli, për të mos thënë më shumë, kanë shkruar qindra faqe duke derdhur shumë energji, për të ‘’provuar’’ se ‘’Eposi i Kreshnikëve’’ u përket popullit serb e se shqiptarët si ‘’endacakë’’ dhe ardhës’’ të vonshëm në Ballkan’’, e kanë marrë atë nga sllavët. Jo vetëm ‘’Eposi i Kreshnikëve’’, por edhe mitet gojëdhënat, legjendat, siç është ai i kalasë së Shkodrës janë të tyret. Ballkani ynë, ky truall befasues i kulturave nga më të çuditshmet, që ka rrezatuar përtej maleve të tij vlera të padiskutueshme në Europë, për fat të keq brenda vedit është shquar jo vetëm për sherrnaja e luftrave për territore në dëm të fqinjëve, si edhe për ca sherrnaja të tjera absurde, siç janë ato për kulturën.
Për fat të keq fjala ‘’URË’’ në kutimin e mirëfilltë si lidhje mes brigjeve dhe në kuptimin metaforik edhe si lidhje mes popujve e në fushën e kulturës si dhënie e marrje reciproke, është shpërdoruar keq në Ballkan. E megjithatë, popujt e Ballkanit përtej këtyre sherrnajave absurde, kanë ditur që në mijëra vjet fqinjësi të ndërtojnë dhe rindërtojnë ura komunikimi. Ata kanë patur dhe kanë kodet e tyre të komunikimit dhe mirëkuptimit herë të qarta e të dukshme, herë- herë të mjegullta me simbole nga më të çuditshmet.
Ballkanasit edhe në kulmet e acareve nxitur nga politikat përçarëse, ideologjitë ekstremiste nacionaliste, stinët e shpeshta të përgjakshme që ka shoqëruar historinë e tyre, janë marrë vesh me ca kode që vetëm ata mund t’i kuptonin… Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Ballkanasit e sertë, por edhe të mençur, herë- herë kapadaij dhe me ca gjeste teatrale në sjellje, gjaknxehtë si ata, por edhe mikpritës trima të çartur dhe herë- herë naivë si fëmijë, të habisin me urat e komunikimit kulturor. Një këngë, valle, melodi, veshje e bukur, fjalë e urtë, legjendë, befas natyrshëm kapërcente kufijtë e një fshati të humbur dhe qindra kilometra më në jug, veri, lindje, perëndim, por edhe më pranë bëhej, pjesë e kulturës shpirtërore të atij vendi… Udhëtarë anonimë që flinin nëpër hane, tregëtarë, që me karvanet e tyre lëviznin lirshëm nëpër trojet ballkanike, barinj që veronin dhe dimëronin nëpër fushat e buta bregdetare apo alpe, rapsodë dhe grupe instrumentistësh ose këngëtarë të njohur, që ftoheshin nëpër dasma etj ishin padyshim këmbë të forta ‘’urash mes kulturave të Ballkanit…”
Kështu ka ndodhur edhe mes shqiptarëve dhe grekëve, që janë popujt më të lashtë të gadishullit, ku në historinë e hershme të tyre ka një substrat të përbashkët gjuhësor dhe kulturor. Kështu ka ndodhur veçanërsisht mes shqiptarëve çamë të Thesprotisë dhe fqinjëve të tyre grekë. Këto dhënie dhe marrje në fushën e kulturës, sidomos asaj shpirtërore, kanë qenë normale dhe të natyrshme.
Çamëria është trualli ku pikafrimet dhe pikëtakimet mes kulturës shqiptare dhe asaj greke janë të prekshme dhe të dallueshme. Të gjendur pranë njëri-tjetrit gjeografikisht, por në disa fshatra dhe qytete çame edhe të përzierë, në fushën e kulturës shpirtërore, por edhe më gjerë, kanë dhënë dhe marrë mes tyre. Ka një të vërtetë të pamohueshme, se duke njohur dhe vlerësuar kulturat e njëri-tjetrit, çamët dhe grekët i kanë respektuar ato. Në këtë kuptim diversiteti kulturor në Çamëri dhe këtu fjalën e kam për kulturën shqiptare çame, që ishte homogjene, por edhe për kulturën e grekërve, vllehëve etj ka qenë një nga pasuritë dhe vlerat e mëdha të saj. Ndasitë fetare nuk ishin pengesë sa kohë që ata respektonin njëri-tjetrin si besim dhe vlerë. Çamët merrnin pjesë jo vetëm në festat fetare të fqinjëve të tyre, por edhe në dasma dhe gëzime të tjera. Përveç sinoreve ndarës pra gjeografisë me vija të përcaktuara ose edhe jo ndarëse, në Ballkan, dhe veçmas në Çamëri, mund të flasim edhe për gjeografi shpirtërore. Kjo e fundit nuk figuron në asnjë traktat apo marrëveshje ndërkombëtare ose ndërshtetërore. Ka patur por ka edhe sot, studiues seriozë grekë, ndonëse shumë të pakët në numër, që kanë vlerësuar kulturën e çamëve, këngët dhe vallet e tyre, veshjet, mënyrën e jetesës dhe banesën në qytet dhe fshat. Bota çame, shpirti i patjetërsueshëm çam ka vulën e vet në kulturën origjinale dhe befasuese të krijuar dhe trashëguar nga brezi në brez. Trashëgimia kulturore në Çamëri në tërësinë e saj është unike dhe pjesë e trashëgimisë kulturore shqiptare. Do të gabonim në qoftë se këtë kulturë do ta veçonim nga ajo e së tërës, pra shqiptare, siç do të gabonim edhe nëse atë do ta quanim një ishull më vete të mbyllur e pa komunikuar me fqinjët e saj grekë. Kultura lëndore, e quajtur ndryshe materiale dhe ajo shpirtërore në Çamëri janë shprehëse e vlerave të një popullsie me histori të lashtë. Ajo bart shtresëzime të hershme të formuara në epoka të ndryshme. Siç janë vënë në dukje nga studiues të ndryshëm, ajo është formuar nga elementë të lashtë parailirë (pellazgë) e pastaj ilirë dhe që u trashëguan në Mesjetën e Hershme. Nuk është e rastit një nga përfundimet e studiuesve gjermanë në librin ‘’Këngët e çamëve’’ (Berlin 1965) se ‘’ky gjurmim muzikologjik dhe tekstologjik dhe botimi i materialit të mbledhur, na tregon qartë se te këngët çame kemi të bëjmë me një shtresë arkaike të muzikës shqiptare.”
Kostumi popullor çam, Faik Konica dhe shformimet greke
Në mungesë të botimeve shkencore nga Greqia fqinje për vlerat dhe marrëdhëniet e kulturës çame me atë greke, por në mungesë edhe të studimeve shqiptare në këtë fushë, do na duhej të zhvendoseshim në kohë dhe hapësirë, pra të riktheheshim dekada më parë, ndoshta edhe më shumë se një shekull, si dhe në trojet e Çamërisë për të analizuar jo mekanizmin e marrëdhënieve mes kulturës çame dhe asaj greke si shpirt dhe lëndë, por mekanizmin e përvetësimit të njëanshëm të kulturës çame prej grekërve, deri në grabitje dhe duke mohuar autorësinë e saj. Këtu jo popujt, por doktrinat nacionaliste greke kanë shembur njërën këmbë ose tërësisht ‘’urën’’ e komunikimit kulturor.
Shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare, duke u marrë me këtë temë ka thënë: ‘’Lufta për autorësinë e vlerave artistike zhvillohet prej kohësh në zonën ballkanike, ku ajo është veçanërisht e komplikuar, për shkak të marrëdhënieve kulturore të popujve të Ballkanit gjatë shekujve. Nënshtrati ndërballkanik, i krijuar si rrjedhim i këtyre marrëdhënieve, motivet e përbashkëta të epikës e të legjendës kanë qenë një terren tepër i përshtatshëm për incidente e shkelje kufijsh kulturorë, kacafytjet për përvetësimin e vlerave shpirtërore kanë qenë disa herë jo më pak të egra se kacafytjet e përgjakshme për kufijtë’’.
Popujt e Ballkanit “duke i huazuar njëri- tjetrit motive, tinguj ngjyra dhe teknika poetike, asnjëherë nuk kanë menduar se këto dhënie e marrje të bukura e sublime do të shfrytëzoheshin prej shovinistëve për qëllime të ulëta e krejtësisht të huaja për artin’’.
Do të duheshin studime serioze, mbështetur në argumente shkencore për të trajtuar jo vetëm marrëdhëniet mes kulturës çame e asaj greke, por veçanërisht huazimet reciproke. Gjithashtu do të duheshin edhe fushat, ku grekët fillimisht kanë huazuar, por më pas i kanë shformuar dhe përvetësim kulturën shpirtërore dhe materiale të çamëve. Pikërisht në këto shformime e përvetësime ka vepruar tinëzisht politika e qarqeve ultranacionaliste greke, një mekanizëm djallëzor, duke përbaltur shpirtin sublim të dy popujve në dhëniet e marrjet e bukura në fushën e kulturës.
Do përpiqem të trajtoj përvetësimin dhe shformimin që grekët i kanë bërë kostumit dhe valles çame.
Studiues seriozë, por jo vetëm ata, kanë vlerësuar kostumin popullor të çamëve. Poeti i madh anglez Bajron i mrekulluar nga ky kostum ka dhe një pikturë, ku ka pozuar i veshur me të. Udhëtarë të tjerë europianë, në librat e tyre kanë bërë të njëjtën gjë: kostumin çam e quajnë një nga vlerat e kësaj popullsie dhe asnjë prej tyre nuk vë në dyshim, se ai u përket shqiptarëve të Çamërisë.
Sipas citimit që bën studiuesi i mirënjohur Hajredin Isufi në librin ‘’Çamëria studime historike – sociologjike shek XIII – XX’’ Çajrëll ka qenë në vitin 1880 mes çamëve në fshatin Mazërek dhe jep këtë përshkrim: ‘’Grupet piktoreske të malësorëve, kësulat dhe fustanellat e tyre, bënin kontrast me livadhin e gjelbërt e me armët e tyre të çuditshme, që vezullonin në diell…’’
Edhe konsulli francez në Janinë Pukëvil, që siç dihet nuk kishte ndonjë simpati për shqiptarët, nuk e fsheh entuziazmin dhe vlerësimin për kostumin e çamëve:: ‘’Udhëtari që do të shikojë ata çamë që do të kenë shpëtuar nga sundimi feudal i sovranit të Janinës dhe nga rënia e mortajës, do të njohë me vështirësi ata burra të bukur me ato qëndisma të bukura lara- lara të veshur me kostume të shkëlqyer dhe të ngarkuar me ar të çmueshëm, që ngjasin sikur të ishin një koloni ushtarësh të Pirros të pasur me plaçka të Trojës, që kanë zbarkuar sërish në Epir.’’.Edhe historiani grek Spiro Mela (sipas citimit që i bën Hajredin Isufi) shkruan për ‘’çamët me rrobat e tyre elegante e luksoze, këmisha të bardha të gjata, të qëndisur anash me ar.’’
Kur është huazuar kostumi popullor i çamëve nga grekët? Është një pyetje, përgjigja e së cilës do të kërkonte hulumtime serioze.
Në qoftë se do t’i riktheheshim kontakteve, por edhe fqinjësisë mes çamëve e grekërve, dhënieve e marrjeve reciproke në fushën e kulturës, kur popujt tanë nuk vuanin nga komplekse dhe ishin normale që në gëzime, veçanërisht në dasma, të ftoheshin apo të mernin pjesë në pazare, që organizoheshin në Prevezë, Paramithi etj e që sot quhen panaire, duhet të ketë qenë i hershëm huazimi i kostumit çam. Jam i bindur se në këto periudha grekët fqinjë të çamëve admironin fustanellën palë- palë, jelekët e qëndisur dhe mëngoret që vareshin, festet e gjata me majë, këpucët me xhufka, levendërinë në të kërcyer të çamëve….
Faik Konica, një nga shkrimtarët dhe kulturologët e mëdhenj shqiptar, përmend shek XIV, kur kostumi shqiptar ‘’ka hyrë ndër grekët, kur shqiptarët nën Bua Shpatën sulmuan dhe nënshtruan Greqinë’’. Po Faik Konica, duke u marrë me këtë problem, shkruan: ‘’Shumë më vonë, nga fundi i shekullit të tetëmbëdhjetë, greku praktik e pa se ishte në të mirën e vet që ta pranonte veshjen shqiptare në disa rrethana dhe për disa arsye, që i kanë paraqitur disa autorë’’.
Koloneli Lik në ditarin e udhëtimeve të tij nëpër More, më datën 28 mars 1805, shënon: ‘’Veshja shqiptare po bëhet përditë e më e zakonshme si në More, edhe në pjesën tjetër të Greqisë…. Kjo veshje është më e lehtë dhe më e volitshme se ajo turke ose greke’’. Ndërsa admirali Zhyrjen dë la Gravjerë shkruan: “Shqiptarët përbëjnë një racë të veçantë në Evropë…Veshja shqiptare u bë e modës dhe osmanët më fodullë e mbanin me krenari fustanellën e bardhë të shqiptarëve të jugut. Vetë grekët, kur djali i dytë i Aliut, Veli pasha, qeveriste Morenë, e morën këtë veshje si simbol të trimërisë dhe e bënë uniformën elegante të palikarëve.’’Faik Konica gjithashtu, duke ju referuar të huajve, citon edhe G. Finlay, i cili në librin ‘’A history of Greece’’ ka shkruar: “Ka qenë fama e shqiptarëve që i ka detyruar grekët e sotëm të pranonin fustanellën shqiptare si kostumin e tyre kombëtar. Është pasojë e këtij adhurimi për shqiptarësinë, që oborri i mbretit Oto merr pamjen e vet melodramatike dhe shkëlqen me një imitim të shtirë e verbues të veshjes së ndritur e të pasur, që ka tërhequr vëmendjen e Çajld Haroldit në galeritë e pallatit të Tepelenës, por fustanella prej basmeje u varet rreth këmbëve grekërve si fund grash prej letre, ndërsa fustanella e bardhë e toskëve, e përbërë nga cohë e fortë e endur në vegjën vendëse, bie me pala të hijshme si cohët e lashtësisë’’.
Nuk ka nevojë për shumë koment për të arritur në konkluzionin që siç shprehet Konica,’i ashtuquajturi kostum modern ‘’grek’’ në të vërtetë është një imitim i poshtër i kostumit shqiptar’’ dhe se në shformimin grek të veshjes shqiptare ka një element të palaçove, që i bën shumë shqiptarë të qeshin, ndonëse të tjerët janë të pakënaqur e të zemëruar. Faik Konica është i pari që vë në dukje dallimet kryesore ndërmjet veshjes së mirëfilltë shqiptare dhe karikaturës greke. Xhaketa në veshjen shqiptare ka një të çarë të lirë te mëngët, për të lënë të kalojë krahu, ndërsa mngët të qepura vetëm në pjesën e sipërme të supeve hidhen prapa. Ato edhe mund të përdoren, por përgjithësisht nuk u futen krahët. Ndërsa grekët, nënvizon Konica, gjithmonë i fusin duart dhe nuk e kanë vënë re ose nuk e kanë kuptuar këtë tipar, që nga koha e mbretërimit të mbretëreshës Elizabeta ka tërhequr vëmendjen e një poeti të madh anglez. Edmond Spenser flet për mëngët, që u vareshin si të shqiptarëve. Është me interes të nënvizojmë se në këtë shformim nuk ka shpëtuar as fustanella, që përbën elementin kryesor të kostumit çam. Sipas Konicës, në veshjen origjinale shqiptare, fustani ka një numër të vogël palësh, zakonisht gjashtëdhjetë. Veç kësaj ai bëhet me pëlhurë liri të rëndë, të endur në shtëpi dhe është mjaft i gjatë sa mbulon tërësisht kofshët dhe le të pambuluara vetëm pulpat. Burrat më të vjetër e mbajnë fundin tetë deri dhjetë centimetra nën gju. Sipas Likut por edhe autorëve të tjerë, përshtypja e përgjithshme që krijon fustanella shqiptare është ajo e cohëve të lashtësisë. Si e kanë shformuar fustanellën shqiptare grekët? Ky shformim ka prekur jo vetëm gjatësinë, numrin e palëve, por edhe cohen. Ata ‘’kanë shtuar palat e fustanit nga gjashtëdhjetë në rreth dyqind ose më shumë; në fillim ata kanë ruajtur gjatësinë e rregullt të fustanit, por meqë nuk ishin të zotët ta mbanin në vend rreth këmbëve, nisën ta shkurtonin gjithnjë e më shumë, derisa sot ka arritur një shkurtësi të pahijshme dhe ata përdornin një pëlhurë të lehtë pambuku. Në fakt ata e kanë rrëgjuar fustanin në një fund të lirë baleti e në tërësi ai të jep përshtypjen e diçkaje të neveritshme, që nuk u shkon burrave.’’.
Vallja çame dhe ‘’Çamiko’’ e kërcyer nga grekët.
Ndryshe ka ndodhur me vallen çame. Grekët deri më sot kanë njohur çamët si krijues dhe bartës të valles. Në të gjitha grupet foklorike jo vetëm të trevës së Çamërisë së sotme, por edhe ato greke apo ansamblet, programet televizive, shfaqjet kulturore brenda e jashtë Greqisë, ajo quhet vallja ‘’çamiko’’ ose thënë ndryshe ‘’vallja e çamëve’’. Unë kam patur rastin në vitet ’70 e më vonë të shekullit që lamë pas, të shoh disa ansamble greke që kanë dhënë shfaqje në Tiranë, Durrës e gjetkë. Jam mrekulluar nga niveli i lartë dhe muzika moderne greke si dhe këngëtarët e mëdhenj Marinela Mariza Koh Janis Parios etj. Gjithashtu jam mrekulluar edhe nga traditat folklorike të krahinave të ndryshme të Greqisë fqinje. Emocione të veçanta kam ndjerë kur kam parë në skenë valltaret virtuozë grekë, që interpretonin vallen çamiko. Ato ishin djem të rinj shumë të talentuar, që e kërcenin me shpirt këtë valle.
E megjithatë, kur kam dalë nga këto shfaqje më janë kujtuar shumë valltarë çamë, që unë i kisha parë në dasmat çame. Atëherë isha i ri dhe në qytetin e vogël të Rrogozhinës, ku jetonte një numër jo i vogël çamësh kisha parë disa valltarë virtuozë. Nuk do të harroj kurrë Shaban Osmanin nga Salica. Ai ishte një burrë i gjatë shumë elegant, që atëherë më dukej një njeri kockalli. I thatë, me një fytyrë të mprehtë, kërcinj të gjatë me një mirësi të spikatur në tërë qenien e tij Shaban Osmani ishte një nga mjeshtrat e mëdhenj të valles çame. Mbaj mend se ai nuk dilte menjeherë në valle. Sheshi ishte bosh i rrethuar vetëm nga burra dhe orkestrën ulur në krye. I pari çohej në këmbë klarinetisti. Ai quhej Karaman dhe vinte nga Tirana . Karamani ishte i njohur që në Çamëri dhe thonin se për të klarineta ishte e shenjtë…
Pas Karamanit ngriheshin në këmbë violinisti dhe ai që i binte defit. Karamani ja niste melodisë së valles… Asnjë nuk pipëtinte. Burrat ndërprisnin muhabetin dhe ata që pinin cigare i shuanin ato…. Vështrimet e syve të trishtuar e plot mall të çamëve, ishin drejtuar nga Karamani. … Atje kam parë pleq që vinin duartt në dy anët e kokës e disa të tjerë që shihnin herë sheshin bosh e herë- herë qiellin. Ndoshta nga qielli prisnin të vinte vallja çame. Sepse vallja çame kishte shumë nga qielli, siç kishte shumë edhe nga toka… Kalonin kështu një, dy minuta… Karamani ulte e ngrinte klarinetën. Dukej sikur thërriste shpirtërat e valles çame ose më saktë shpirtin e valles çame… Dhe ai vinte në minutin e tretë, krejt befasisht, sikur kishte rënë nga qielli ose dalë nga thellësia e tokës. Nuk ishte Shaban Osmani që njihja unë, dhe që e takoja thuajse çdo ditë. Ishte Shaban Osmani i valles çame, që ulej e ngrihej me një lehtësi të habitshme nga toka, shtrihej për t’u ngritur prap në ajër… Shaban Osmani ishte edhe ëndërr edhe qiell, edhe ditë, edhe natë, edhe lot edhe gëzim. Shaban Osmani ishte triumfi i njeriut çam krenaria dhe levendëria e Çamërisë, sakrifica sublime, tallaz dhe dehje në beteja….
….Kur kam lexuar librin e Aristidh Kolës “Arvanitasit dhe prejardhja e grekëve’’, valltarët e talentuar të ansableve greke që i kisha parë duke kërcyer vallen çamiko m’u dukën si hije të zbehta dhe vallja jonë e bukur tërësisht e shformuar prej tyre. Atëherë m’u kujtua Shaban Osmani nga Salica e Çamërisë, mjeshtëria dhe virtuoziteti i kërcimit të tij. Aristidh Kola, ashtu si Faik Konica më parë, që publikisht denoncoi përvetësimin dhe shformimin e kostumit shqiptar çam, në librin e tij ka argumentuar nga njëra anë madhështinë e papërsëritshme të valles çame dhe nga ana tjetër shtrembërimin dhe deformimin e saj nga grekët. Studiuesi i mirënjiohur arvanitas qartësisht jep thelbin e valles çame, si një valle që pasqyron shpirtin shqiptar… Ajo, sipas Aristidh Kolës, ka levenderi, krenari, bukuri në lëvizje, të cilat vënë në dukje dhe virtytet e mësipërme. Nuk është valle erotike. Por gjithashtu nuk është as luftarake, as e ndjenjës. Vallja çame është valle triumfale. Diçka që bën të dyshoj nëse mund të ketë të dytë në botë, nënvizon Kola. Vallja çame përmbledh me lëvizjet bukurinë, levenderinë, burrërinë dhe krenarinë e kërcimtarit të parë. Sepse duhet theksuar këtu se vallen çame nuk e kërcejnë të gjithë por vetëm kërcimtari i parë. I dyti ‘’e mban mirë’’ dhe është me të vërtetë e vështirë të ‘’mbash drejt’’ dhe mirë kërcimtarin e parë e të zotë me figurat e mrekullueshme dhe kërcimet, ndërkohë që të tjerët ndjekin nga pas, duke marrë pjesë mendërisht dhe shpirtërisht, duke u krenuar dhe duke i dhënë figurën e plotë asaj, që përpiqet të shprehë i pari me lëvizjet dhe figurat e tij.
Ç’ka ndodhur me vallen e famshme çame në Greqi? A është ruajtur origjinaliteti i saj në kërcim? Përveç emrit ‘’çamiko” që grekët çuditëriht nuk e kanë ndryshuar, të tjerat janë të shformuara. Valltarët e rinj e të talentuar grekë përveç lëvizjeve prej atletësh dhe figurave që krijojnë gjatë kërcimit të kësaj valleje, nuk japin asgjë më tepër se kaq. Ky nuk është faji i tyre, por i koreografëve. ‘Çamikos’’ greke i mungon kryesorja:shpirti shqiptar çam dhe bukuria, levendëria, burrëria, dhe krenaria, që karakterizon popullsinë çame. Studiuesi Aristidh Kola me të drejtë konkludon: “Ata njerëz që kanë marrë në duar vallen çame që prej disa kohësh, me sa duket qartësisht as arbëreshë nuk janë dhe as idenë s’ia kanë se ç’lloj valleje është vallja çame dhe nga cili popull është krijuar. Kështu na paraqesin një lloj valleje çame që po jua them haptazi, kur e shohin arvanitasit nisin e qeshin. E quajnë “Shkollore’’, sepse mësuesit që dërgoheshin nëpër fshatrat arbëreshe pa ditur gjë prej gjëje rreth saj, përpiqeshin t’ua mësonin vallen çame popullit që e krijoi atë, duke e bërë kështu imitimin mjaft qesharak”.
Ndryshe ndodh me vallet çame të kërcyera edhe sot nga çamët e krishterë, apo vllehët, ose grekët, kur popullsia myslimane e krahinës së Çamërisë nuk është më atje, e shpërngulur dhunshëm në vitet 1944-45, nga bandat zerviste. Kur I shoh këto valle më duket se atje është shpirti i vërtetë i valles, shpirti i vërtetë i Çamërisë. Gjej rastin t’I përshëndes vëllezërit e mi të krishterë në Çamëri, që vazhdojnë të ruajnë të patjetëtsueshme karakterin e kësaj valleje të mrekullueshme.
Urat e reja të shpirtit ballkanik
Shumë vite më parë, kur shekulli që lamë pas po rrokullisej drejt fundit të tij, pata fatin të marr pjesë në një festival ballkanik që organizohej në Ankara. Ishte maj dhe nuk do të harroj kurrë qiellin e Ankarasë, erërat e ngrohta, tingëllimin poetik të gjuhës turke, por veçanërisht atmosferën e krijuar në kryeqytetin e Turqisë nga shfaqjet e grupeve folklorike, ardhur nga gjithë vendet e Ballkanit. Ndryshe nga acaret, makthet, sherrnajat e pafund, luftërat e përgjakshme që kishin ndodhur në Ballkanin tonë gjatë shekullit që po rrokullisej ankthshëm e me përtim, në Ankara, gadishulli tragjik nëpërmjet melodive, këngëve, valleve, larmisë së kostumeve, sillte shumë nga shpirti i tij. Ndihej, siç shkruan shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare “nënshtrati ndërballkanik’’ si dhe motivet e përbashkëta. Urat e komunikimit që risillnin popujt e Ballkanit në këtë festival ishin të lashta sa vetë ata, solide dhe ndryshe nga baladat e tyre, që prisheshin natën për t’u rindërtuar ditën… Ishte maji i vitit 1991. Shqipëria ime përpiqej të largonte përgjithmonë mantelin e përgjakur komunist, ndërsa Ballkani në veri të tij, ishte në prag të gjakderdhjes së tij të fundit… Kanë kaluar gati 20 vite që nga festivali Ballkanik i Ankarasë dhe gadishulli ynë mitik ndodhet në proceset e evropianizimit ose thënë ndryshe, po punon për të ringritur urat e komunikimit të shumanshëm. Në Jug të tij, shqiptarët dhe grekët popujt më të moçëm të Ballkanit, gjithashtu janë në këtë proces rindërtimi urash, pavarësisht fantazmave të fundit që ringrihen nga varret e idelogjive përçarëse. Çamët e shpërngulur me dhunë nga bandat kriminele greke të Napolon Zervës në vitet 1944-1945, kërkojnë të rivendosin ura komunikimi shpirtëror me vëllezëri e tyre të një gjaku, çamët e krishterë, vllehët dhe grekët, që jetojnë në Çamërinë e sotme. Jo vetëm kaq. Ata janë për ura komunikimi edhe me grekët, sepse çamët e grekët, pavarësisht nga e kaluara e tyre e hidhur, kanë ditur që në fushën e kulturës të marrin dhe japin me njëri- tjetrin.
Çamëria ime mitike kërkon rikthimin në trojet e saj të shpirtit çam: baladave, këngëve, kostumeve popullore, valleve, rikthimin e miqësive të vjetra jo vetëm me vëllezërit e saj të krishterë, por edhe me grekët, vllehët etj.
Ballkani ka nevojë për ura të reja komunikimi mes kulturave të tij nga më befasueset jo vetëm të gadishullit, por edhe në rrafshin europian.
Marrë nga ExLibris
Komentet