VOAL

VOAL

TË MARRTË DREQI TË MARRTË SADIJE – Poezi nga FASLLI HALITI

February 4, 2018

Komentet

…FANTAZI ME GJALLESA – Prozë nga RUZHDI GOLE

Ja, këtu, tek ky vendstrehim i dikurshëm,
do hyjmë – tha Lani me të folurën e tij të
ngadaltë, përhera ngrohtë.
Vendstrehimi, nga jashtë, dukej i strukur.
Mbi harkun e portës së tij vareshin
shkurre të hershme, ca të fishkura.
Porta metalike, e ndryshkur, dukej si e
ngulur me zor në harkun e vendstrehimit
 E mbyllur me dryn. Prej tij varej një
zinxhir i gjatë me hallka të zbardhëllyera.
Aliu, shtatlart dhe me një patericë shtrënguar në krahun e djathtë, afroi një karrike tek trungu i pemës dhe u ul.
Karrikja, sic dukej, aty rrinte përhera në
diell e ne shi.
-O Lan, mos ma mundo sot mikun. Ka ardhur veç të shoh.
Jo, jo Ali – iu gjegja shpejt mikpritësit tim
Nuk kam ardhur vetëm të shoh.
Aliun e pashë sot sëpari, por emrin e tij i kisha dëgjuar prej kohësh. Nuk më duhej e shkuara e tij. Ndoshta, kjo e shkuar e tij, u duhej të tjereve. Mua, më duhej e tashmja e tij. Ai sot më pa sëpari mua. Lani, mik i hershëm i Aliut. Jetuan çiltër e guximshëm me rininë e tyre përkrah. Jo veç në të shkuarën. As ata vet, asaj të shkuare, nuk i ktheheshin ndonjëherë pas, ose i ktheheshin veç për besimin dhe guximin mes tyre.
Lani futi çelësin tek dryni, tërhoqi portën e ndryshkur. Zinxhirët kërkëllitën dhe pushuan përtokë.
A i kujtonin ndonjë të shkuar këta zinxhirë Aliut? Eh, dreqni, po mua s’ka ç’më duhet e shkuara e tij. Me duhej veç e tashmja.
Lani, unë dhe Gjon mirditori hymë në
tunelin e vendstrehimit. Lani ndriçonte
me një dritë dore udhëzën perpara. Në
dorën tjetër mbantenjë pompe uji.
Për herë të parë hyra në një vendstrehim të braktisur, me ledhe lerash, shufra hekuri dal nga betoni i mureve. Shufrat sikur donin të thyheshin e të iknin diku, diku tjetër. Vrerosur shumë këtu qysh prej gjysmë shekulli.
Për herë të parë pashë dhjetra qeska të zeza e të zbardhura mbi rrasa dërrasash e betoni. Të zezat dukeshin sy mbyllur. Ndoshta të përgjumura. Në fetusin e tyre ajror të përzier me far kërpudhash dhe llum kafejë po gatiteshin. Nga qeskat e zbardhura xhufkonin kërpudhat, të cilat prisnin veç të mblidheshin.
Lani u kthye nga mua dhe gjithë gaz më tha : Pilot, si po të duket këtu? Kjo errësirë, kjo paksa dritë? Nuk jemi në qiell.
-Paksa qiell shoh edhe këtu-iu gjegja shpejti.
-Po ai ti, i fluturimeve…Në qiell je zot ti, ndoshta i dyti Zot.
-Fantazia ime fluturon pa cak. Jeton me bletë të padukshme edhe… në qiell. U çudita edhe vet çka thashë – Mos po ngatërroja yjet me bletët? Të jenë yjet bletë të zjarrta?
-Si ? Jetoka me bletë fantazia jote ? Je lajthitur! Kjo lajthitje nuk është e para.
Heshtëm pak. Lani filloj të prekte qeskat e zeza butë-butë. Unë po i jepja pompës. Një curril uji nisi të lagte qeskat ende të paçelura. Gjoni, me një lopatë, po mblidhte anëve të guvës baltën e shiut të fundit.
-Po, gjithandej fluturon fantazia ime – iu ktheva unë bashkebisedimit. – Fantazia ime është vetmia ime në fluturim. Kjo lajthitje, ndoshta, është e vetmja që më gëzon. Nuk më përlot. Shoh gjithçka.
-Me sy mund të shoh veç vetmia jote. Vetmia, për mua, është e turbullt në mes të ditës, azmatike.
-Ajo më ndez
-Të mpak e të shuan, lum miku.
-Gjithë kjo llucë këtu-ndërrova fjalë unë. – Duhej të vija me këpucë me qafa.
-Shiun i pardjeshëm llangosi gjithçka – e shtyu paksa si me zor fjalën Lani.
-Eh, ashtu është. – Nuk jam në pistë këtu
-Secili jeton dritën  e tij – iu kthye rrjedhës sonë Lani.
-Dritën e tij të penguar. – thashë unë.
-E pse të pengueme ?- nderhyri Gjoni.
-Po ja, unë jetoj më shumë në qiell se në tokë. Me njerëz plot, por në kabinë.jemi veç dy frymorë.
-Me plot njerëz je, plot. Rri njëherë mënjanë të tjerëve e … Nuk e shikon ti? As kërpudhat nuk rrijnë vetëm. Kudo që të dalin qoftë rastësisht në kodër a përrua. Qoftë edhe këtu, tek guva ku i kemi mbjellë Aliu dhe unë..
Lehtë -lehtë pompova. Currilat freskuan përreth.
-Ku t’i gjej të tjerët? Ata kokolepsen keq
me njeri tjetrin edhe kur hipin, edhe kur zbresin nga avioni. Sa shquaj kokën e
njerit e bëhem gati ta përshëndes
papritur më dalin para ca sy të
zgurdulluar. Nuk pulitin as qerpikët. Sa
pulit qerpikët krahësi afër, ia vesh me
shkelma borizani tjetër.
-Si na ngjiti e na krisi kjo bisedë këtu ?pyeti Lani. Dhe shtyu fjalën.
-Nuk qënke vetmitar, ahere. Gjithandej
zhurmojnë, kërcejnë. Godasin me
qyngje e fishkëllejnë me sirena.
-Ç’sirena ?
-Ato të aero-portit.
-Në aero-port ka ca … që gogësijnë e
fusin duart në xhepa. Nxjerrin q’andej, e
dinë ato çka nxjerrin e çka fusin në
xhepat e tyre – thashë zë ngadaltë.
-Asgjë, qe besa, asgjë! Gjithandej policë,
ekrane. A s’ke ndigjue ti se në
xhamllëkun e ekraneve del dhe bleta?
Sikur të na dëgjonte ndonjë bletë këtu do të tundtte krahët a do të na thumbonte?!
-Ooo, fantazist i ri, bleta merr arratinë t’ikë e ikën. Takon kërpudhat.
-Kjo qënka ç’na qënka, bleta takon
kërpudhat. Po ku i takon, kur i takon?
-Kudo, shpesh, shumë prej tyre.
-Po më thuaj nji vend, nji pemë,
kodër, nji hundë njeriu ku bleta na
takoka kërpudhën.
-Troç po ta them, kthjellët : kudo ku ka
bletë ka edhe kërpudha, ndonjëherë
kërpudha të padukshme.Ku ka kërpudha
ka edhe ujë, aty afrohen edhe bletët.
-Diç po ndigjoj? Një pëshpërimë- b’zajti Gjoni.
*
(-Mirëmëngjes kërpudhë !
-Mirëmëngjes bletë!
-Dje nuk u pamë. Si të kaloi dita?
-U tremba pak. Na zuri frika të gjithave.
-Keni fjetur keq?
-Po tkurreshim brenda llumit të kafesë.
Qeskat e zbardhura filluan të na
nxiheshin para syve.
-Ç’ju paska gjet’ kështu? Frynte erë
marrie a si, era po ju shkelte kurorat, a
si, pëshpërisnit thatë pa ujë a…më
thuaj.)
*
-A dëgjove pëshpërima, o fantazist ?
-Heshtja belbëzon. Belbëzon bletë,
bletë e re.
-O ç’po na përrallis, po tallesh? Prapë
damarë kërcyer ti,  damarë përpjetë. Po
flet çart, o fantazist.
-Më ka kërcyer damari po, po. Heshtja,
shpesh, mund të jetë vetmi. Shpesh
edhe krijim. Njeriu, veçse qenia më e gjallë dhe më e guximshme, më e frikshme dhe më e rrezikshme, është pak bletë, milingonë e kerpudhë hera herës. Varet si sillet, si jeton. Më janë kërleshur keq eshtrat sa kur kaloj gishtat n’për to më duket sikur trazoj xhufka resh, ngrica gjithandej, thumba dhe zjarre.
-Mos u tremb, mos u tremb. Qose je i gjithi nga lart e nga poshtë.
-O më marrsh, të keqen, më marrsh!
Lart e poshtë jam i gjithi gacë.
-Martohu, ta shoh ajo që do të të marr,
je hambar a je angar.
-M’u hiq sysh, pa të keq, o dreq! M’u duk
sikur me fjalën tënde i hodhe përpjetë
kërpudhat. Ua këpute xhufkat fare.         –
-O hyzmeqar i fjalës, o hyzmeqar, prapë
me kërpudhat ti ? Ato janë tufa-tufa. E
ç’i gjen ato njerën po e këputa?
-Po e këpute fillon e qan bleta dhe gjithë
kërpudhat zverdhen.
-S’kam ndigjue ndonjë fantazist tjetër si
ti që thua se uji dhe era marrin frymë.
S’kam pa bletë e kërpudha t’i
pëshpërisin njeratjetrës në pyll, tek
kopshti i askuj’. As tek udha.
*
(Motër bletë, ku e lamë?… ëëë, u
kujtova, era frynte sa na duhej për fresk.
Vapa ia kishte këputur gjumit    për
shtatë palë qejfe. Kur na pihej ujë
lagnim buzët. Dje, tek guva jonë erdhi
një njeri që nuk e njihnim. U trembëm. Ai
nguli ca gozhdë në shkëmbin e guvës.
Vari fije litari e copa drurësh të lagura.
-Çudi guve kjo, o kërpudhë, çudi.
-U çelëm nga sytë kur njeriu i panjohur
filloj të na spërkaste me ujë. Tek guva
jonë s’ka gjer ditën tjetër frymë njeriu.
Ne thithim lagështi nga copat e drurëve
dhe litarët për të jetuar …   Ja, ja paska ardhur edhe sot  si njeri. Sot jo i panjohur
-Unë, gjithandej kam fluturuar. Më
shumë e shpesh për nektar. Nuk kam
parë kund litarë as copa drurësh varur ?
Mos i ke trilluar ëndërr, moj kërpudhë ?
-Jo, jo, asnjë trill, asnjë. Nuk jam
rrenacake unë, jo!!. Mos më thumbo,
moj bletë, mos më thumbis!
-Më fal kërpudhë, nuk desha të të prek.
Unë, që thua ti kërpudhë, jetoj
mes fluturimeve, shoh e dëgjoj plot. Njëdizaj, fluturoj mbi kurorat e një kopshti, njëdizaj livadheve.
-Ku ta di unë kërpudha çfarë degjon e çfarë sheh ti, moj bletë ?? Unë aty ku
mbillem aty mblidhem, nuk fluturoj.)
 *
-O fantazist, a dëgjove ? A je i gjithi i shkalafitur ?
-Çfarë të dëgjoj? Ti njëherë e njehera
njësoj. Çfarë të dëgjoj, pra? Mos ka
lindur ndonjë bletë që ende nuk ia
njohim thumbin? Thumbi i saj të djeg a
të ledhaton? Mos ka lindur ndonjë
kërpudhë? Më e madhja kërpudhë që
mund të mbuloj edhe kokën tonë.
-Të erdhi prapë ora e fantazisë.
Bletë dhe kërpudha ato janë që njohim.
Ka lindur Poeti. Kanë lindur poetët e
paparë anekënd qytetit tonë.
-Bletët kanë lindur para poetëve
-Të paparët fryhen e dynden për të
arritur majën. Sa mbërrin njeri në majë,
majën ia rrëmben tjetri. Tjetri sa hap
krahët për t’u ngjitur ndin një tjerrje e
therrmë të llahtarshme në… në kryet e
veta.
-Nuk ngjitet kush më shpejt në majë
sesa milingonat
-Ka plasur keq, ka plasur frymëzimi i
pacak. Secili don nga një kurorë. Kujt t’i
ngrej qyteti më shpejt piedestal ?
-O, mik, gjithë talentet këtu qënkan
mbledhur ? O mik pa çiflig, po s’paska
një të parë e një të fundit mes librave.
-Thuamë, ky është Art?
-As sa një koshere bletësh.
-As sa një grusht xixëllonjash.
-Pak a shumë një dyzinë kërpudhash.
(Ata nuk kanë ecur as sa rrugëtimi i
milingonave. Nuk kanë ecur e u duket se
kanë mbrrit’ në Theth…)
-Gjithkujt i duhet vetmia, Gjon, gjithkujt,
sidomos njeriut, njeriut të pavetmuar.
-Bletët jetojnë vetëm një stinë?.
-Ndoshta një stinë jetojnë. Kërpudhat
dihet që mbillen e mblidhen njaty-njaty
për dyzetë ditënetë. Xhufkojnë të tjerat.
-Sa për milingonat unë i kam në mendje
e n’për gishta.
-Milingonat jetojnë pafundësisht?
-T’i pyesim njëherë Ali ?
-Oooo, milingonat na paskam lënë
vetëm gjurmë, o Lan, vetëm gjurmë.
-Dhe çfarë gjurmë, o fantazist ?! Eja t’i
shohësh. Eja, eja afrohu dhe ti Gjon.
-Ooooo, po këto s’qenkan gjurmë, bre,
njitash s’janë, po, po gjurmë qënkan,
o po s’qenkan, qenkan retina.?!
-Retina të ajrit dhe të dheut.                      –
(Asnjëherë të mbinjeriut, o njeri!!!)

Trishtimi i ruses T. (Mbi makthet e Kremlinit dhe jetën e pagëzim…) Nga Rex Kasumaj

Fundmars, 2026

Trishtimi i ruses T.
(Mbi makthet e Kremlinit dhe jetën e pagëzim…)

Saherë mërgimtarët kthehen nga atdheu, pas një qëndrimi disakohësh, kanë një ndriçim tjetër në vështrimin e tyre.

Dhe, veçanërisht ata, si do thoshte Markez, anonimët e shquar…

Por, mes fjalësh që rrëfejnë çmallje dhe elan të ri, ndonjë psherëtimë e beftë i kthen ngadalë në mantelin e të huajit. Lulet e zemërprehjes përballojnë një kohë, derisa mbi to të bie ngadalë bryma e tretdheut…

Por rusja T. ishte më ndryshe. Një natyrë e çiltër siç është, e lumtur vente në Moskë e pokështu kthehej në Berlin. Orët mërgimtare nuk e thyenin dot atë vullnesë ndjesie. Ishte e paprekshme në thellësinë e natyrës së saj.

Por një ditë kësojave, erdhi pak e heshtur në punë. Përshëndetja e zjarrtë ishte tretur. Ç’të ketë vallë, mendova dhe, njëkohësisht, thashë me vete: të jetë fyer nga ndonjë fjalë e pahir?

Gjendja në Moskë është një katastrofë, shpjegonte më pas. Mbretëron frikë, pasiguri, deshpërim kolektiv, heshtje morti. Ekonomia e luftës ka varfëruar gjithçka. Interneti është i mbyllur. Dhe njerëzit ndihen të izoluar nga bota si në vitet e Pasternakut.

Mbeta i habitur. Isha në dijeni për degradimin e jetës ruse nën autokracinë dhe luftën e gjatë që kthen çdo ditë djem të vrarë nga fushat e Ukrainës.

Por luftë, në fakt, kishte dhe vitin e kaluar. Mirëpo ajo, rusja e bukur T., fliste ndryshe pas kthimit nga atdheu i saj. Plot gjallëri dhe entuziazëm. Jo për luftën, natyrisht. Në prapavijë, si rr’fente, kishte një jetë të qetë e gjithë shpërfillje të rinisë për makthet e Putinit. Madje, kish dëgjuar se, pasi Trump shkelte pragun e Zyrës ovale, mund të bënte ç’të dojë në Ukrajinë e gjetiu botës.

Ndërkaq tani ishte trishtuar. Sërish, jo për rrëzomat e Kremlinit. E njoh sa të besoj që nuk e vuan atë brëngë. Ishte për ikjen e gëzimit nga sytë e rusëve të saj. Një rini dhe popull i nënshtruar që bjerrë çdo ditë shpresë e qytetërim në “botën e iluzore ruse”…

Ndërkaq mua do t’më rezultonte qysh herët një mendim i tillë. Por tani konsolidohej, disi, përfundimisht.

Saga e mikut Trump doli një blof. Një truk i agjencive të mashtrimit. Dhe kujtova kancelarin e madh Bismarck tek thotë: asnjëherë nuk ndodh të ketë më shumë gënjeshtra se sa në stinë zgjedhjesh, gjatë luftës dhe pas gjahut.

Rusia është e thyer: Në ekonomi, fushëluftë ku nuk triumfon dot (Ukraina ende kontrollon afro njëzet përqind të Donbasit), në moralin kombëtar, ëndrrën neoimperiale që tretet si retë pas shiut dhe, mjerisht, në psikologjinë e rezistencës së pamundur…

Burime lajmesh flasin se, përballë ngecjes në kthetrat e një lufte të pafituar, Putin matet të bëj një marrëzi: të provojë fatin ushtarak me Nato-n.

Dhe Baltiku përrallor piketohet si një provë e parë. Veçse po i hyri aventurës, kjo do të ishte poashtu disfata e parë dhe prova e tij e fundit!

Dhe rusja T. ku do të ishte atëherë me harenë e, më pas, me pikëllimin e saj?!

Fatet alternohen shpejt, nga mëngjesi në darkë, mëson Libri i vjetër…

R.

Fundmars, 2026

Sovraniteti i kufizuar i Europës…
(Mbi një mërgatë që hisedon)

1.
Skllevërit që s’janë

“Askush, si gjermanët, nuk e ka mprehur tehun e
vetëzhbërjes si Gjermania”!

Kështu shkruante vite më parë kultshkrimtari francez M. Houllebecq. I njohur tash sa kohë nga përsiatjet e tij mbi këtë temë. Madje romani “Nënshtrimi” ka pikërisht kryemotiv të rrëfimit të bukur letrar: vendësit që tkurren dhe emigrantët që shpërthejnë vullkanërisht.

Ishin motet e vështira kur kancelarja Merkel hiqte tavanin gjerman për pranimin e refugjatëve sirianë. E, ata erdhën dhe u sistemuan plot një milionë brenda një stine, viti 2015, që do të ndryshonte hartografinë etnike të këtij Landi europe me kompleksin e fajit të përjetshëm.

Por Marie Le Pen, desh t’a shpjegonte ndryshe arsyen e tavanit merkeljan. Gjermanët, thoshte ajo, kanë nevojë për skllevër!

Madje Albert Kamy, sikur t’a frymëzonte që herët, në “Letra mikut gjerman” shkruan se ne vijmë nga larg, nga një lashtësi qytetníe dhe nuk i dhuruan kurrë skllevër botës. Aluzioni ishte i qartë: ashtu siç bëni ju, gjermanët e Rajhut!

Por ishte krejt e pasaktë, natyrisht.

Sepse, thjeshtë, kush pati histori më të gjatë kolonializmi e skllavërie sesa frëngjët e tyre? Të zonjës Le Pen dhe, për çudi, të autorit famoz të “Letrave…” ?

2.
“Lufta e huaj”…

Ndërkaq, një kancelar tjetër, poashtu i djathtë (Merz, në bisedë me Sharaa-në), përqaset të korrigjojë diçka. Një shifër makthi. Një prishje ëndrre. Dhe një goditje natyre për civilizimin e lodhur.

Ndaj flet të rikthejë sirianët në atdhe. Që atje të kërkojnë fatin, duke ndërtuar vendin e tyre të jetimëruar!

Por është një mision i pamundur!

Nga 900 mijë të ngulur prej tyre, shumica tashmë kanë status shtetësie ose përhershmërie në tokën gjermane. Mirëpo athua janë akoma motivet e hershme që përnxisin një planveprim të tillë, gati imagjinar?

Jo, aspak!

Me gjasë, përveç strukturës nacionale që shfytyrohet, mandej tregu i punës, sistemi social e shëndetësor që ngarkohet, tash së voni shfaqet në arenë dhe një faktor tjetër tronditës.

I menduar qyshkur, por i mbetur pasiv e në pritje Ore!

Ishte lufta e Iranit që i bëri një shpalesë dhe tani beh revanshi i tij fatal.

Spanja fillimisht, pastaj Britët, tani Franca e ndjekur nga Meloni, Zvicërra dhe gjermanët e heshtur asnjanës, refuzojnë shërbesën e territoreve të tyre për fluturimin e avionëve amerikanë të luftës!

Arsyeja?

Paskësh kosto, mandej, fundja, nuk është lufta e jonë, Nato nuk ishte e agresuar – ishin disa nga shpjegimet e habitshme të tyre. Po a nuk shprishi këto fije indiferente Xhon Bolton tek tha: as Ukrajina nuk ishte lufta e Amerikës dhe Rusia s’kishte sulmuar një anëtar të Natos. Por do të bëhej gati palë lufte që në plasje të saj!

Përtej këtyre fjalëve kote, europianët duhet të kenë një dert tjetër që peshon rëndë: mërgatën islamike!

Dhe aderimi në një luftë të tillë do të aktivizonte terrorin a, thjeshtë, rebelimin e pafjetur të grupeve të saj për të destabilizuar në kufi përplasjesh (ose lufte civile, si pohonte Houellbecq) Europën e thembër-akilit mondan.

3.
Sovraniteti i kufizuar

Dhe ja, koha e re. E pritshmja që erdhi shpejt me një faturë në dorë. E ligë dhe e pagojë si asnjë tjetër.

Deri tani sovranitetet i kufizonin fuqitë hegjemone, blloqet ushtarake dhe varshmëria e të vegjëlve ndaj dalëzotësve të tyre.

Ndonjëherë dhe shpërfillja morale e së drejtës ndërkombëtare. Me shkronjën e saj, ajo do të mbronte shpesh tiranë të ndryshëm që shtypnin popujt e tyre apo etni të tjera në “burgun” e sajesave shumënacionale.

Sovjetët dhe jugosllavët ishin prova e përgjakur e historisë.

Por kësokohe shohim një formë tjetër të sovranitetit të kufizuar. Në fakt, është më shumë një vetëkufizim i mnershëm, një rrudhje, gati një ndarje e tij me vendet e origjinës së qytetarëve të tyre islamikë.

E pra, nuk mjafton kujdesi i kadiftë për të drejtat e tyre, promovimi i kulturës, madje tolerimi i “shoqërive paralele” që jetojnë në një milje tjetër ku ndiqen rregulla e kode të veçanta, krejt ndesh me Leitkulturën e vendit strehimtar.

Kërkohet më shumë, tepër më shumë. Duhet t’i
konsiderojnë përulshëm interesat strategjikë të vendeve prejardhëse. Pavarësisht përmasës dhe natyrës së tyre.

Ndryshe, fitili i shpërthimit ka afër, sa koha e një gjethi që bie, shkrepsën e zjarrit…

Eh, Europa e gjorë!

Dhe nuk janë fare të gatshëm të japim shtetin nacional në Themelet e patundshme unitare, por akoma vetëm disa atribute të pakta të shtetit klasik.

Së, fundmi, a mund të themi, si Otto von Habsburg tek shkelte rishtar e i flatruar, vitet 70-të, pragun e Parlamentit të Europës?

E pra: Një perandori e rinuar “romake”, e lirë dhe demokratike – është Rilindja e vetme e saj!

R.

NGATËRRESË NË TRENIN BALLSH-TIRANË-Tregim nga Shkëlqim HAJNO

 

 

Mësuesi ynë i talentuar i histories, Vasil Danga ishte edhe arkeolog.

Kjo puna e studimeve dhe e arkeologjisë thoshin,  se e koishte lënë edhe pa u martuar.

Në shkollë, veç mësimdhënies kishte pasion edhe kabinetin e historisë dhe gjeografisë. Kur fliste për lufëtrat , veç ta dëgjoje! Pale kur niste për arkeologjinë- një palë vesh dhe një palë sy nuk të mjaftonin.

Ishte i thinjur, por kravata në qafë kurrë nuk i mungonte. Kostumet e tij ngjyrë preshi dhe palltoja ngjyrë kamilje, ishin  të pandara në imazhet tona si nxënës të tetëvjeçares.

Pasion i tij ishte edhe ndonje shkrim në gazetën lokale dhe sidomos, ndonjë kumtesë shkencore për arkeologjinë apo heroizmin e popullit tonë ndër shekuj, në referimet në pallatin e kultures të qytetit, ku shokët e udhëheqësisë vendore, në vendet e lozhës, neve nxënësve na dukeshin çdo herë  si të derdhur në allçi.

Ato ditë, klasa jonë si maturë kishte shkuar në një ekskursion triditor në Korçë, në qytetoin e shkollës së parë shqipe dhe të Themistokliut, kur morëm vesh thagmën* (mrekulli, çudi ) që i ndodhi profesor Vasil Dangës në Tiranë.

Më pas mësuam se ëndrra e tij për t’u bërë i njohur në botën shkencore dhe akademike, kishte marrë shenjën e parë  nga një telefonatë prej kooperativës bujqësore të Mogilave buzë lumit.

Traktori duke hapur toka të reja me punime  të thella, kishte ndeshur në një objekt arkeologjik. Një pllakë e madhe mermeri sa një portë shtëpie, ishte lëvizur nga maja metalike e plugut.

U ndërprenë punimet. U njoftua profesor Vasili. Pasi mori leje nga shkolla u nis me taksinë e Kamberit drejt vendit të gjetjes. Siç konstatoi, gjetja e fshtarëve ishte nje sarkofag antik prej mermeri. Poshtë kapakut të varrit profesor Vasil Danga zbuloi i ngazëllyer, mbetje mortore antike: një skelet njeriu dhe një iventar të pasur me sende.

Sihariq!-u tha  ai traktoristit dhe disa fshatarëve që pushonin nën hijen e një gorrice.

Ata e panë të habitur teksa vendoste në një thes prej zhake sendet e sarkofagut duke nisur nga kokallat e lashta. Herë pas here mbante edhe shënime.

Gjete florinj?- e kish pyetur i shpuar nga kërshëria njeri prej tyre te gorrica.

Ç’florinj, mor shokë! Jo florinj, po gjëra më të çmuara keni zbuluar: eshtra antike dhe sende të rralla.…-ua ktheu entuziast.

Ahaaaa…!” -bënë burrat me njeri-tjetrin duke bërë në ajër  me dorën pranë kokës atë sinjalistikën e stërnjohur popullore: “Qënka i lojtur prefesori i ngratë! I shkarë! Gjynah!”

***

Afër mendsh që do të njoftonte me telefon që të nesërmen Institutin Arkeologjik të Tiranës, po se po, po edhe Akademinë e Shkencave. Aso kohe, bashkëpunëtorët shkencorë  vlerësoheshin goxha dhe merreshin me seriozitetin e duhur.

Të ndodhur në prag të një Konference Kombëtare të Arkeologjisë, shokët e Tiranës e përgëzuan për raportimin dhe profesor Danga ishte i  mirëpritur një orë e më parë në zyrat e institucionit. Ai nisi  të qëndisë një ditë pas zbulimit raportin mbi gjetjet arkeologjike në Mogila:

Përmbledhje:

Një sarkofag (varr).Mendoj se mund të jetë i një princi të pasur ilir me rol të rëndësishëm në shoqëri. Koha: shek. IV–III para Erës sonë* (para Krishtit)

Çfarë është gjetur konkretisht:

  1. 1. Stoli princërore. 2.Elemente dekorative prej ari .3.Rrip argjendi me zbukurime (me motive lufte) 4. Armë: Shpata dhe thika. 5.Enë luksi.6. Enë për verë (kupë, amfora, krater) Enë prej bronzi dhe qeramike të cilësisë së lartë që flasin për jetën aristokratike të kohës.7.Monedha të ndryshme. 8. Objekte personale.9. Elemente kalorësie:Pajisje kali (zbukurime, pjesë frerësh). Etj, etj.

 

U bë gati për kryeqytet. Bleu enkas një valixhe inkeliti ngjyrë lejla për të futur pjesët më  të rëndësishme të gjetjeve dhe sigurisht kokallat *(eshtrat) e princit të supozuar. I vendosi brenda një këllëfi me akllas portokalli  në madhësinë e një nënkrese mesatare.

Pikërisht eshtrat, mendoi ai, do t’i hap të parat në tryezën e zyrës së drejtorit në kryeqytet. Princin ilir! Zbulimin befasues, pse jo të krejt konferencës së pritshme kombëtare?.

Dhe ja tani do të dëgjojmë raportimet dhe njoftimet që vijnë nga treva jugore dhe posaçërisht nga gjetjet më të fundit pranë tumave të Mogilave.

Kryetari i Akademisë së Shkencave, profesor Aleksi heq syzet e trasha optike nga balli prej bronxi dhe hedh vështrimin sa te salla, edhe te radha ku qëndronte mësuesi Vasil Danga:“ Ju lumtë shoku Vasil ! Një zbulim i madh që hedh dritë falë përkushtimit të një gjurmuesi të palodhur të terrenit, një mësues i thjeshtë historie  por me pasion të madh shkencor dhe kërkimor!

 Urdhëroni te podiumi i nderit!-iu bë se dëgjoi ëndërrimtar Kryetarin e Akademisë së Shkencave  tek e thërriste për të folur,duke i shtangur të gjithë të pranishmit në sallë me zbulimin e fundit.

Në sallën plot e përplot, tani po dëgjohej një mërmërimë e zgjatur që përfshiu edhe radhët e të ftuarve nga jashtë shtetit: akademikë, albanologë, etnologë, etj,. Pak më sipër te lozhat ballore dhe anësore të sallës, udhëheqja e lartë e Partisë dhe qeverisë, i kishte ngulur sytë prej sfinksi Vasil Dangës që po i afrohej i ndrojtur podiumit të foltores. Ndjeu se u bë prush në fytyrë.

 

***

Në stacionin e trenit në Ballsh preu biletën dhe me hap të nxituar hyri në vagon tok me dhjetra te tjerë që shtyheshin për të kapur një vend për t’u ulur. Arriti të rehatohej në një vend pranë dritares siç dëshironte  por valixhen e mbante fillimisht mbi gjunj.

Kur fishkëllima e trenit dha sinjalin e nisjes në vagon ia behën një grup me pesë-gjashtë persona. Profesori i ndiqte pa vëmendje të sapombërriturit. Një grua e re e këtij grupi mbante në dorë një valixhe të ngjashme, prej  inkeliti në po atë ngjyrë me valixhen që profesor Danga mbante mbi gjunjë. Ata zunë vendet dhe gruaja e sistemoi valixhen në  vendin e bagazheve pingul mbi ndenjëset e tyre dhe ngjitur me profesorin.

Ende pa mbërritur në stacionin e Fierit, ai u njoh me bashkudhëtarët. Ata ishin krushq që shkonin për të këmbyer nishanet* (dhurata simbolike para dasmës.) me palën e nuses diku pranë kryeqytetit.

“Mos e mbaj valixhen mbi gjunjë se ka vend sipër,-iu drejtua dikush nga dasmorët profesorit. Me një ngurim të dukshëm ai e vendosi  sipër te bagazhet.

“Kush do ia marrë i pari këngës  te shtëpia e nuses?:-pyeti më i moshuari prej krushqve dhe i hodhi sytë nga tri e gratë  e lyera me një tualet të rëndë.

“Hajde, Sofika,!- u dëgjua dhe pas pak zhurma e trenit u përzie me zërin e bukur të gruas që quhej Sofika

O moj nuse, dritë në dritare,
erdhe me gëzim në shtëpi të madhe
….

 U mbushën sokakët me këngë e hare,
Lumë kush të solli në portën e re.”

Këngët popullore në vagonin e profesorit vijuan derisa treni iu afrua stacionit të fundit dhe njerëzit, si të nxitur nga një komandë alarmi, u sulën te dyert, kush e kush të dilte i pari, a thua do ikte Tirana. Gjithkush rrëmbente çanta ose valixhe dhe turrej jashtë. I fundit nga vagoni, doli profesor Vasili.

Zgjati dorën te bagazhet, tërhoqi çantën e lëkurtë prej inkeliti lejla dhe zbriti qetë- qetë duke ndjerë në fytyrë ajrin e lagësht e të freskët të Tiranës. Pas pak e pa veten  në bulevardin Dëshmorët e Kombit dhe këmbët e çuan në hotel.

 ***

Të nesërmen, kur ora shënoi nëntë pa pesëmbëdhjetë, profesori trokiti në zyrën e drejtorit të Institutit.

Pas mirëseardhjes së përzemërt drejtori prof.Dhimosteni, ftoi në zyrë edhe tre-katër kolegë, ku Vasil Danga do të prezantonte mbi tavolinë gjetjet e shumëpritura arkeolgjike të sarkofagut të Mogilave.

Paske ardhur me këmbë të mbarë shoku Vaso, pasi pasnesër çel siparin edhe konferenca kombëtare e arkeologjisë. Urdhëro!-tha ai dhe u ul ne karrigen e tij me sytë nga valixhja lejla mbi tryzën e madhe të punës.

Përpiqemi,shoku Drejtor-tha Vasil Danga duke falënderuar për fjalët e mira në adresë të tij.

Kapaku i valixhes u zbërthye pas lëvizjes 180 gradë të zinxhirit dhe në zyrë u përhap një arome e rëndë parfumi që të shponte hundët. Profesor Vaso dukej i shastisur. Hoqi nje copë akllasi të bardhë dhe ne valixhe u duk nje fustan, një palë sandale të bardha grash,….tre shishe parfumi, të kuq buzësh, këmishë nate grash, një palë mbathje akllasi………

“Oohh nëna ime ! “-tha profesor Vasili. Balli iu mbush me bulëza djerse  dhe  sakaq u shakullos mbi karrige, në gjendje të fikëti.

“Një gotë me ujë!-tha dikush. Atë çast, shoferi i institucionit u afrua dhe i zbërtheu nga gryka kravaten e kuqe njeriut të alivanosur.

Ç’po ndodh?-tha drejtori.-A jeni mirë?Ku janë eshtrat e sarkofagut?…

“Oohh nëna ime ! Pse më linde?-belbëzoi me pamjen e një të ndërkryeri “Krushqit, kryshqit e trenit !..tha ai i çoroditur në  fytyrë.

Valixhja është e tyre! Ata kanë marrë timen tok me gjetjet dhe eshtrat  e sarkofagut  dhe i kanë shpurë te nusja!..

Të gjithë ishin ngritur në këmbë me sytë nga  valixhja lejla e çuditshme ndërsa  ai vazhdimisht thërriste si në kllapi:

Oh nëna ime ! Pse ma bëtë këtë?..///

–o0o–

Dy proza nga RUZHDI GOLE

Ruzhdi Gole
Përtëritje dhe cene
(prozë mes poetëve)
– Ç’është kjo gjëagjëzë që po zbret prej qiejve poshtë? Ç’është ky këmbalec që hidhet përpjetë? Kjo e qarë që s’të nëm, kjo nëmëzezë e re?
– Asgjë, asgjë veç endërrimi yt është, shkalafitja jote. Të ndjekin hijet e gjumë-përgjumjes tënde.
– Më ndjekin hijet? Asnjëherë. Të duket ty sikur hija më ndjek mua, jo, jo është njeriu që e përze hijen.
– Të jetë e vërtetë kjo? Hija na vjen pas, na del hera-herës edhe përpara, por s’na mbulon dot, kështu që hija është ajo që përhera na ndjek…
– Gjithçka bën hije: pema, kangjellat, kisha, minarja. Aty bëjnë hije, aty bëjnë dritë, vezullojnë, zbardhen, ndizen.
– Ndonjëherë edhe ftohen.
– Në të vërtetë pema bën hije të gjelbër, por neve kjo hije na duket e hirtë. Kisha bën hije të harlisur mbi dhe, por hija e saj në na duket e rëndë.
– Po minarja?
– Minarja jemi vet ne, njerëzit, gjithë jetën në këmbë. Hija jonë është e ndritshme dhe e tretshme, përtëritëse dhe dinake, gazmore dhe plot hidhërim.
– Sa rron hija mbas njeriut?
– Njeriu rron më gjatë se hija e tij. Çka po i duhet njeriut gjithë jetën hija? Veçse për ta kërrusur. Hija i teshtin para fytyrës njeriut. Njeriu hidhet përpjetë, hap krahët sa mundet, e flak tej bastunin e hijes.
– Paska bastun hija?
– Hija është vetë bastuni.
Gjithçka ka hije në këtë botë?
Gjithçka pra. Ka hije të zeza e të përjetshme si thepisja, gremina, gjeratorja. Këto janë pak para hijes së mosmirënjohjes. Hijet në natyrë janë shembëllimi i njeriut.
– I kujt njeriu, nga cili planet? Gjithë fantazira ti. Lermë tani të shoh detin…
– Deti ka kohë që po na sheh. Deti ka hije të bukur, hije t’rëndë madhështore.
– Askush nuk e xan hijen e tij e t’ia flak tej shpatullave të kaltra?
– Askush. As deti vetë nuk do të jetojë pa hije se pastaj i zemërohen edhe njerëzit, edhe stinët.
– Deti nuk është gjëagjëzë, nuk është as me kalorës siç themi ne për dallgët.
– E pra, se gjithandej jemi mbushur veç me kalorës dhe me helmeta. Sikur rrisim veç kuaj e gatuajmë veç bakër, hekur e çelik.
– Gjerdanë kemi sa të duash, por në ç’punishte u derdhën ato? E dimë, bëjmë sikur s’e dimë. Ca prej tyre nuk janë xhevahirate, por janë prangat tona. Të padukshme, kërcënuese, kokëshkreta.
– Po zogjtë kur fluturojnë i marrin me vete hijet e tyre?
– Zogjtë kur fluturojnë nuk kanë asnjë hije në vete. Kanë vetëm rreze, pika shiu, ndonjëherë edhe pika loti.
– Pse qajnë zogjtë?
– Qajnë e mallohen kur shtegtojnë diku tjetër. Veç e qara mund të jetë pak, fare pak hija e tyre. Pastaj zogjtë harrojnë shpejt, ledhen në krahët e njëritjetrit, ledhatojnë sqepat. Fluturimet dhe foletë e reja të tyre kanë gracka të reja.
– Oh, sa keq më vjen për zogjtë, sa keq…
Ç’është kjo këlthitje, ky kamxhik?
– Ështe ëndërrimi yt i dytë, fantazia në la minor e motit
– Dikë po rrahin, po e shqepin në dru, po e rrëmbejnë, e përdhosin, e mbysin në lum.
– Natyrë, moj natyrë e gjallë, plot fruta dhe valë, a nuk e sheh këtë skenë, këtë skenë e qajnë edhe vet të vdekurit?!
– Lëre Mëmëzonjën të shplodhet paksa, ndoshta veron në alpe a kridhet në Adriatik. Se kjo mëmëzonjë e ky At aq  të plotfuqishëm, (ti afroju dhe besoj kujt të duash në lirinë tënde të re e të vërtetë, të pacak e shpesh të cunguar,) pra kjo zonjëmëmë e ky dheat’ është vetë njeriu.
– Frymori që ne e duam dhe i anashkalojmë me të keq e pa të keq, që e nderojmë, i ngrejmë piedestal.
– Në të vërtetë sa e ngrejmë në pedestal e vrasim, e zbresim q’andej, e lajmë e shplajmë, e mbështjellim me çarçafin e hijes, e shtijmë në arkmort.
– Vërtet, mëse e vërtetë kjo. Shpallim të djegur heroizmin e frymorit përmes çdo nekrologjie tek porta e bashkisë, në det, fushë e mal.
-E vërtetë kjo, mëse e vërtetë…
– Buqetat me lule janë laraska të helmatisura, që mund të na helmatisin edhe ne të gjalleve.
– Ooo, sa e vërtetë e rëndë kjo?!
– Mbas kësaj dite ne ndoshta jemi më pak të gjallë.
– Të shkalafitur sa s’bëhet. Para nesh, pas nesh, mbi kryet tona vërtitet hija e gjelbër e një peme që përndjek hijen e zezë të vetë hijes.
– Po ç’është kjo: e vërtetë, vërtet e vërteta, lajthitje?
– Eshtë ëndrra ime e fundit, o mik!
RUZHDI GOLE
CAK AGU
 (prozë)
-Po dremit ? Po dremit me nge? Me sytë në këmbë dhe mbëdhe qepallat ?
-Lermë në joshjen time edhe ca, o i frymëzuar.
-Ende joshesh ti kërcure? Të janë tharë gjinjtë.
-Ty të janë ngufatur gjunjtë.
-Eh, me nge duhet fjala, me nge. Se të bëhet halë në fyt- belbëzova. -Sa e mirë ke qenë ahere…?
 -Kur ahere? Tani jam më e mirë.
-Tani më duhesh tepër, thatanikja ime!
-Po, po o fluturak, me sherre në bark.
-Fli gjumë, fli o kërcure. Dhe mos gërhit se e gërhitura jote  m”i hedh mustaqet tërpjetë.
-Fli ti, po rri zgjuar unë, pastaj ti…
-Ooo, si e gjete këtë, gjumi dhe nata janë yshtje. Të shplodhin kokë e këmbë.
-Pse, me tërë mend do flesh sonte? Rrijmë një natë zgjuar. Leri fletët të flenë. Mjaft u kapite mbi to.
-Oj, zonja ime, rri a s’rri unë mbi ato fletë, gishtat e mi mbi partitura janë përhera.
-Vret kotnasikoti mëndjen, o dirigjent. Ti i di përmendësh të gjitha partiturat. Gjenerali im pa spaleta.
-U gradova prej teje?. Faleminderit, moj shtrigëz e butë. Shtrigë a shtrigëz më je. Më je e më deh. Po koha ecën edhe po s’ecëm ne!.
-Kush na i rrëmben neve kohën? Tani kemi orë pafund, sa të duash.
-Ne, njeritjetrit, ia rrëmbejmë. Ajo ne na mban, ne s’e mbajmë dot. Tani jetojmë më pak në kohë.
-Të hipi mërzia ?
 -Kohën neve na i rrëmben frika, na i rrëmben vrap e papritura, naivja dhe…
-dhe orkestra e botës, o muzikanti im…
-T’i mori mendttë nata a joshja moj? Gjithë huqe je e tëra.
-Huqet aty më ikin, aty më kthehen prapë. Huqet natë duan për t’u rrëfyer  Mua, sonte, më erdhi nata për rrëfenjë.
-T’i lemë rrëfenjat tani…
-T’i lemë ? Po nuk na lenë ato. Ti, e njeh Zyrhanë?  Zyrhanë “e tymosur” pëshpërisin graria. E ka shkelur ajo, … shkelur herë – herë.
-Njeri i qetë, i urtë burri i saj, Nehati. Është rroptuar gjithë jetën në minierë.
-dhe kur vinte në shtëpi i rraskapitur, qymyr e tym i gjithi, lahej e shplahej shpejt e shpejt. Edhe gjellën e mbllaçiste të ftohtë nga uria. Shtriqej e flinte me shpinën kthyer Zyrhasë. Po Zyrhaja donte burrë për dyshek jo për jorgan. M’i ka rrëfyer “e tymosura” të gjitha. Pse m’i ka rrëfyer as sot s’e di.
-0 shtriga ime, po ti paske fjetur në dyshek të botës? Të mbys, qe besa, tani në …
(Nuk besoja se isha mpakur ngaqë e joshja ende gruan time.)
-Jo, jo, o kapedani im! M’i ka rrëfyer Zyrhaja vet ..
-Për të të nxit’, për të të joshur edhe ty ?
-Ç’pjellor qënke sonte nga mendja, o i frymëzuar?
-Sot, kur hyra në treg, m’u kujtua Grigori, im vëlla. Gjithë jetën me kandar në dorë. Aty i mbylli sytë. Mua më peshojnë rëndë gurët e jetës së tij.
-I miri Grigor…
-Nesër ka përvjetor. Do të shkojmë në vorreza. ?
 -Shko ti. Unë kam shkuar, kam shkuar disa herë. Vetëm ose me Zyrhanë.
-Po ç’do Zyrhaja tek im vëlla? Veç një përshëndetje kanë pasur.
-Po, po, veç një përshëndetje. Zyrhaja shkon tek nja dy-tre të njohur, lutet, qan e qesh, u kujton atyre bëmat, ata i kujtojnë amanetet dhe i rrëfejnë varroshin e burrit të vet se ajo e harron shpesh. Burri i vet ka vdekur para tyre.
-Mbas varrimit dreka e mbas drekës kush ka mundur i pari i ka ngritur fustanin Zyrhasë ?- e cyta unë fjalën.
-Mjaft, o karafil im, karafil dhe gjeneral plot spaleta.
-Ooooo, qënkam me spaleta tani, moj tollumbace ? Po pse ke shkuar ti tek im vëlla?
.S’kam frikë të ta them sonte : e kam dashur Grigorin, e kam puthur. Dhe më erdhi keq, shumë keq kur vdiq. Tani, i vdekur, më dhimbset.
-Çfarë thua, moj?Tradhëtisht? Pas syve të mi? Ooo, ç’marri e zezë kjo, ç’meritje.
-Unë doja tek ty burrin burrë edhe më tepër. Nuk e gjeja, e gjeja rrallë. Ti gjithë jetën provave, koncerteve, turneve, prandaj,…prandaj guxova njëherë, iu afrova e putha me rrëmbim Grigorin. Ai u skuq. Desha ta ledhatoja, ta joshja. Por ai asnjëherë nuk e donte këtë, asnjëherë…
-O Grigor vëlla, sa s’të paskam njohur, sa i mirë paske qenë!!! O i miri Grigor…
-Mjaft më me pikëllimin tënd tani.
-O i shenjti vëlla…
-Mjaft, të lutem…Më duket se u zbardh, U zbardh më shpejt se përhera. A do shkojmë bashkë në vorreza ?

ART, KULTURË DHE SHARM ATDHETAR- Nga LULZIM LOGU

 

 

-Intervistë me ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, z. Petrit Malaj-

 

PASAPORTA:

Shtetësia:        Shqiptare

Ditëlindja:       12.12.1961

Eksperienca

  • 2016 – 2023 Dekan i Fakultetit të Artit Skenik në Shqipëri
  • 2008 – 2016 Rekor i Universitetit të Arteve në Shqipëri
  • 1997 – 2007 Dekan i Fakultetit të Artit Skenik në Shqipëri
  • 2007 – 2011 Anëtarë i Këshillit Bashkiak Tiranë
  • 2003 – 2006 Zv/Kryetar i Këshillit Drejtues të RTSH
  • 1985 – 1997 Pedagog në Fakultetin e Artit Skenik në Shqipëri
  • 1981-1985 Përfundon studimet për “Aktor” në Institutin e Lartë i Arteve

Titulli akademik

1999   Titulli akademik  –  Profesor i Asociuar

2004   Titulli Akademik  –   Profesor

2020   Titulli nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë  – Mjeshtër i Madh

 Çmimet

1986:   Çmimi i dytë për aktorë, akorduar në Festivalin e Shtatë te Filmit Shqiptar.

1982:   Medalioni i Festivalit të Pestë të Filmit Shqiptar.

1979:   Medalje “Naim Frashëri” – akorduar nga Kuvendi i Shqipërisë

SPECIALIZIME:

Gjate viteve 1995-2000 ndjek specializimet dhe stazhet profesionale në Shkollën Ndërkombëtare të Teatrit “Jacques Lecoq”, Paris (France), në Shkollën e Teatrit Murcia (Spanjë), në Departamentin e Shtetit Amerikan për Administrim-Menaxhim të Teatrit dhe të shkollave teatrore, si dhe organizimin dhe funksionimin e shkollave dhe kompanive teatrore, etj.

PJESËMARRJE:

Prof. Petrit Malaj është pjesëmarrës në shumë aktivitete periodike Evropiane dhe rajonale si festivale teatrore e filmike, konferenca e seminare, masterclass-e, workshope te ndryshme i angazhuar me cilësinë e pjesëmarresit, lektorit apo drejtuesit te sesioneve teoriko-profesionale (Lisbone, Shkup, Prishtine, Udine, Sofie, Sibiu, Badajoz, Lecce, L’Aquila, Pescara, etj).

PYETJE:  Të fillojmë me rrënjët dhe historinë tuaj personale.Vlora dhe Tropoja në fëmininë tuaj, cila është pesha e kujtimeve në formimin tuaj si karakter , si ka ndikuar  kultura dhe mjedisi i tyre në mënyrën e zgjedhjes së profesionit apo  në qasjen tënde kah puna diplomatike?

PËRGJIGJE: Fëmijëria ime është e ndërtuar mbi dy realitete të forta shpirtërore: Vlora dhe Tropoja. Vlora më ka dhënë hapjen, frymën detare, një sens lirie dhe komunikimi me botën. Ndërsa Tropoja më ka dhënë rrënjët, qëndrueshmërinë, ndjenjën e nderit dhe besnikërisë ndaj fjalës së dhënë.

Këto dy dimensione nuk janë thjesht kujtime, por pjesë e identitetit tim. Ato më kanë mësuar të jem njëkohësisht i hapur dhe i qëndrueshëm, i hapur ndaj përshtatjes por i palëkundur në parime. Në diplomaci, kjo është thelbësore: të dish të dëgjosh, por edhe të qëndrosh fort kur duhet.

Profesionin tim e kam nisur me aktrimin, një përvojë që më ka ndihmuar të kuptoj më mirë njeriun, emocionet dhe mënyrat e komunikimit përtej fjalëve. Më pas, angazhimi im në pedagogji dhe në drejtimin universitar më ka dhënë mundësinë të punoj me të rinjtë, të ndërtoj ide, të menaxhoj institucione dhe të zhvilloj një qasje më të strukturuar dhe strategjike ndaj përgjegjësive publike.

Të gjitha këto përvoja, të marra së bashku, më kanë sjellë natyrshëm në diplomaci. Sepse në thelb, diplomacia është një kombinim i ndjeshmërisë njerëzore, komunikimit të kujdesshëm dhe përgjegjësisë institucionale, elementë që i kam ndërtuar hap pas hapi gjatë gjithë rrugëtimit tim.

PYETJE: Si ja dolët të kaloni nga një vend i vogël si Tropoja drejt një karriere diplomatike nderkombëtare?

PËRGJIGJE: Nuk besoj se vendi nga vjen e përcakton kufirin e mundësive të tua. Tropoja mund të jetë e vogël në hartë, por është e madhe në karakter dhe në vlera.

Rruga ime ka qenë një kombinim i punës së vazhdueshme, përkushtimit dhe besimit se mund të kontribuoj për vendin tim. Asgjë nuk vjen menjëherë. Janë vite studimi, përvoje, sfidash dhe, mbi të gjitha, një dëshirë e fortë për të bërë diçka për vendin tënd, si në art ashtu edhe për të përfaqësuar dinjitetshëm Shqipërinë.Ajo që më ka ndihmuar më shumë është të mos harroj kurrë nga vij,sepse kjo të jep drejtimin se ku duhet të shkosh.

PYETJE: Si i vlerësoni marrëdhëniet aktuale mes Shqipërisë dhe Kosovës në këtë kohë, çfarë sfidash dhe mundësish shihni në bashkëpunimin mes dy vendeve, cilat janë prioritetet tuaja si ambasador për të forcuar më tej këto marrëdhënie?

PYETJE:  Si i vlerësoni marrëdhëniet aktuale mes Shqipërisë dhe Kosovës në këtë kohë, çfarë sfidash dhe mundësish shihni në bashkëpunimin mes dy vendeve, cilat janë prioritetet tuaja si ambassador për të forcuar më tej këto marrëdhënie?

PËRGJIGJE: Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës janë sot më të forta dhe më të natyrshme se kurrë më parë. Ato nuk janë vetëm marrëdhënie shtetërore, por mbi të gjitha marrëdhënie mes njerëzve, familjeve, kulturave dhe historive të përbashkëta.

Sigurisht, ka ende sfida ,sidomos në koordinimin institucional, në harmonizimin e politikave dhe në ritmin e zbatimit të projekteve të përbashkëta. Por mundësitë janë shumë më të mëdha: ekonomi e integruar, treg i përbashkët, shkëmbime arsimore dhe kulturore më të thelluara.

Prioriteti im si ambasador është ta bëj këtë marrëdhënie edhe më funksionale: më konkrete, më të prekshme për qytetarët, duke kaluar nga simbolika tek rezultatet reale.

PYETJE: A besoni se kultura, marrëdhëniet e përbashkëta kulturore, veprimtaritë dhe projektet e një kalendari të njesuar kulturor forcojnë lidhjen mes shqiptarëve në Shqipëri dhe Kosovë, cilat tradita apo element kulturorë nga Malësia e Gjakovës/Tropoja do të dëshironit ti ndanit me qytetarët e Kosovës?

PËRGJIGJE: Pa asnjë dyshim. Kultura është ura më e fortë që lidh njerëzit ,më e qëndrueshme se çdo marrëveshje politike. Një kalendar i përbashkët kulturor nuk është thjesht organizim aktivitetesh, por një mënyrë për të jetuar së bashku identitetin tonë.

Nga Malësia e Gjakovës do të sillja frymën e mikpritjes, kcimin e Tropojës, këtë pasuri tonën kombëtare,lahutën si simbol të kujtesës historike, këngët epike, poezinë e poetëve tropojanë që për mua kanë lë një gjurmë shumë interesante në letërsinë shqipe, dhe traditën e kuvendit. Ato mbartin një filozofi të tërë jetese: respektin për tjetrin, nderin dhe lidhjen me rrënjët.Këto elemente nuk janë folklor, por pjesë e identitetit tonë të përbashkët.

PYETJE: A ka aktualisht inisiativa konkrete për të nxitur bizneset e vogla dhe të mesme në bashkëpunim në optikën e projekteve strategjike në sfidën e integrimit evropian si dhe të programit ndershtetëror, sidomos në rrafshin gjeografik të malësë së Gjakovës dhe të Dukagjinit?

PËRGJIGJE: Po, ka një vëmendje në rritje ndaj bashkëpunimit ekonomik ndërkufitar, sidomos për bizneset e vogla dhe të mesme. Këto zona kanë potencial të madh në turizëm malor, bujqësi, blegtori dhe produkte tradicionale.

Sfida mbetet në krijimin e mekanizmave më efikasë mbështetës mes bashkive e komunave dhe biznesit kufitar, qoftë përmes lehtësimit të procedurave, financimit apo rrjeteve të përbashkëta të tregut.Qasja jonë është që këto zona të mos shihen si periferike, por si ura lidhëse zhvillimi mes dy vendeve.

 

PYETJE: Çfarë mund të mësojmë nga njeri tjetri sot në fushën e arsimit dhe kulturës si dhe të krijimit të hapësirave të zhvillimit dhe integrimit të të rinjve në të gjitha fushat e jetës. Si mundet që nxitja e artit dhe të kultures të forcojë identitetin tonë kombëtar ?

PËRGJIGJE: Ne kemi shumë për të mësuar nga njëri-tjetri , jo sepse jemi të ndryshëm, por sepse kemi zhvilluar përvoja të ndryshme.Në arsim, mund të thellojmë bashkëpunimin në programe të përbashkëta, shkëmbime studentore dhe standarde cilësie.

Në kulturë, mund të krijojmë më shumë hapësira për artistët e rinj që të bashkëpunojnë përtej kufijve administrativë.Arti dhe kultura janë thelbësore për identitetin tonë kombëtar. Ato jo vetëm e ruajnë atë, por e zhvillojnë dhe e bëjnë të kuptueshëm për brezat e rinj.

PYETJE:Cili është mësimi më i rëndësishëm që keni nxjerrë deri tani gjatë karrierës diplomatike?

PËRGJIGJE: Është një mësim i përbashkët për aktorin dhe diplomatin. E ky mësim  i rëndësishëm është se si në aktrim ashtu edhe në diplomaci para së gjithash duhet të dish të dëgjosh. Pra mësimi kryesor, para së gjithash, është arti i dëgjimit.

Shpesh mendohet se diplomati duhet të flasë mirë, por në të vërtetë, ai duhet të dëgjojë edhe më mirë. Të kuptosh tjetrin, edhe kur nuk bie dakord me të, është çelësi për të ndërtuar ura dhe për të shmangur konflikte të panevojshme.

PYETJE: Me një përformancë të ndjeshme  si aktor dhe artist, si mendoni se ka ndikuar arti në stilin tuaj diplomatik si dhe në komunikimin tuaj me publikun dhe institucionet? A ju ka ndihmuar përvoja juaj si aktor të kuptoni më mirë ndjeshmëritë komplekse njerëzore?

PËRGJIGJE: Arti më ka dhënë një ndjeshmëri më të thellë ndaj njerëzve dhe situatave. Si aktor, mëson të hysh në këndvështrimin e tjetrit, të kuptosh emocionet dhe motivet që nuk shprehen gjithmonë drejtpërdrejt.Kjo është jashtëzakonisht e vlefshme në diplomaci. Komunikimi nuk është vetëm çfarë thuhet, por edhe si thuhet dhe çfarë qëndron pas fjalëve.

Në këtë kuptim, arti më ka ndihmuar të jem më empatik, më i kujdesshëm dhe më i saktë në komunikim.

PYETJE: Mesazhi juaj për revistën tonë periodike dhe kulturore ‘’URAT’’ si një organ që promovon dhe vlerëson krijimtarinë letrare dhe kontributin intelektual të krijuesve nga të gjitha trevat shqiptare.

PËRGJIGJE: “URAT” për mua është një emër domethënës sepse pikërisht ura janë ato që na duhen më shumë sot: ura mes njerëzve, ideve dhe trevave shqiptare.

Mesazhi im është të vazhdoni të ndërtoni këto ura përmes fjalës, kulturës dhe mendimit kritik. Sepse aty ku ka dialog dhe krijimtari, ka edhe shpresë për një shoqëri më të mirë.

 

HUNGARIA DHE ZËRA TË SHKRIMTARËVE TË SAJ NOBELISTË. FAJIN E KA… DHE LETËRSIA?!- Nga VISAR ZHITI

 

Kur një popull guxon të ndryshojë, (kupto: qeverinë më shumë…), di ta përjetojë epokën gjithmonë si të re dhe të dobishme, po mendoja…

Pasi lexova për zgjedhjet në Hungari,
që pas 16 vjetësh humb Viktor Orbán dhe fiton opozita me Péter Magyar, desha të thosha diçka për dy shkrimtarët nobelistë hungarezë, por po e nis me pyetjen politike:

PSE FITON DHE PSE HUMB?

Po pse fitoi katër herë rresht Viktor Orbán dhe pse i humbi?
Ai vërtet është një nga figurat më dominuese në politikën evropiane të dekadave të fundit. Ai i premtoi Hungarisë stabilitet dhe rregull, sovranitet dhe identitet, subvencione për familjet, ulje taksash dhe mbështetje për klasën e mesme. Dhe i bëri, lexoj sërish.
Orban mbajti një qëndrim shumë të ashpër kundër emigracionit. Rriti kontrollin ndaj institucioneve dhe ndikimin ndaj drejtësisë, etj, etj. U fut në konflikt me Bashkimin Europian, gjë që dha ndikim negativ në ekonomi. Po kështu dhe qendrimet e tij ndaj Rusisë dhe luftës në Ukrainë, etj, etj.

Dhe vjen lodhja nga pushteti i gjatë, konsumimi, thonë opinionistët dhe mbështetësit fillojnë të kërkojnë ndryshim. Opozita bashkohet…

Fituesi Péter Magyar vjen nga brenda sistemit, konservator i Qendrës së Djathtë dhe prandaj dhe u bë dhe më i besueshëm. Ai nuk kërkoi thjesht ndërrim qeverie, por pothuaj “ndryshim regjimi”. Hetime për mënyrën si janë përdorur fondet publike, krijime strukturash për rikthimin e pasurive të abuzuara.
Luftë serioze korrupsionit. Rikthim i demokracisë institucionale.
Pavarësi më e madhe për gjyqësorin
Fund kontrollit politik mbi mediat.
Ai premton një Hungari të lirë, europiane.

Çështje që i duhen shumë dhe Shqipërisë tonë.

16 vjetë në pushtet. Nuk duhej të ishte dhe aq e zakonshme për kohën tonë pas shembjes së Murit të Berlinit dhe rënies së perandorisë komuniste.
Lidershipi duhet ndërruar, se dhe idetë dhe projektet e së mirës pasurohen… etj, etj, e mund të vazhdoja të flisja kështu si në një fushatë ekektorake…

Hungaria deshi ndryshimin sërish, Hungaria që i flet botës dhe me zërat guximtarê tê shkrimtarëve të saj. Prandaj…
Dhe desha të flas dhe unë për dy nobelistë të letërsisë moderne hungareze. Ka të bëjë me çështjen, si jo?

DY SHKRIMTARËT NOBELISTË

Imre Kertész
dhe
László Krasznahorkai.

Njëri erdhi nga burgjet dhe kampet e holokaustit, nga përvoja e vuajtjes dhe dhimbjes ekstreme të shekullit,
ndërsa tjetri nga ankthi metafizik i botës bashkëkohore tani.
Të dy kanë njeriun përballë sistemit të frikës dhe shkatërrimit të kuptimit.
Dhe ndoshta ndryshimi rinis, kur një popull guxon të rishikojë vetveten pa iluzione sërish. Dhe letërsia rilind kur njeriu nuk pranon të heshtë, kështu po thosha me vete.
Po ç’sollën këta dy shkrimtarë në Hungarinë e tyre? Folën për politikë a patriotizëm? Jo. A ishin pjesë e pushtetit? Përkundrazi. Dhe as nuk janë. Përzjehen me fushatat elektorale?…
Është më e madhe ajo që kanë bërë dhe bëjnë, më e vyer dhe më e rëndësishme përherë. Do desha të përmbledh diçka, sa mundem këtu:

1.
Imre Kertész
(1929 – 2016)
Nobel 2002

…tregoi Aushwitz dhe Buchenwald, jo me patos, por ftohtë, pothuajse si të ishte “normale” për të na thënë se absurdi dhe tmerri mund të bëhen pjesë e përditshmërisë dhe mund ta humbësh lirinë dhe identitetin në mënyrë të padukshme.
Në totalitarizëm (nazizëm dhe komunizëm), njeriu në kushte çnjerëzore, a mundet të mbetet njeri?

Kur unë shkruaja për letërsinë e burgjeve, në librin “Kartela të Realizmit të Dënuar dhe Panteoni i Nëndheshëm”, kam marrë në ndihmë dhe Imre Kertész. Sipas tij Holokausti është një përvojë universale… që nuk ndan, përkundrazi bashkon – dhe thekson se – “holokausti ka krijuar një kulturë” dhe letërsia e kësaj kulture ka nisur shumë më herët, ajo madje mundi të frymëzojë dhe Shkrimet e Shenjta, dhe tragjedinë greke – dy kolonat e kulturës evropiane – në mënyrë që realiteti i pafalshëm të mund të linde faljen ose katarsisin.
“Evropa nuk eshtë vetëm treg i perbashkët dhe bashkim doganor, por dhe frymë dhe spiritualitet i përbashkët. Cilido që kërkon të bëhet pjesë e këtij shpirti, duhet të tejkalojë, midis shumë provave, dhe atë të përballimit moral dhe ekzistencial me holokaustin” (Imre Kertész “Il secolo infelice”, – librin e kisha gjetur italisht. Shën. imi.)

2.
László Krasznahorkai
(1953)
Nobel 2025

…tregon se pushteti absolut ushqehet me heshtjen. Dhe heshtja, nëse vazhdon për një kohë të gjatë, duket si rend… Pushteti ka nevojë për heshtjen. Njeriu, jo.
Qytetari e kupton se bindja nuk e shpëton, vetëm se e zbraz.
Dhe vjen një ditë kur frika lodhet më shumë se liria.
Asnjë flamur nuk e pastron më gjakun, dhe asnjë fjalë nuk e mbulon të vërtetën.
Atëherë errësira fillon të çahet, si nga drita që vjen nga lart, dhe nga zëri që ngrihet nga poshtë.

Çfarë zërash! I dua… – MbiOpozitë – madhore.
E kam takuar László Krasznahorkai në Slloveni në një festival poezie, e kam treguar empatinë e tij për ata që vuajtën dhe shkruajtën burgjeve…

Sipas tij asnjë pushtet nuk është më i fortë se e vërteta që përpiqet ta fshehë dhe asnjë luftë nuk mund ta zhdukë plotësisht atë.
Në kohë terrori dhe rrënimi, arti mbetet i vetmi vend ku njeriu mund të shpëtojë nga gënjeshtra e pushtetit.
(Arti përballë – Terrorit apokaliptik).

Letërsia ekziston përtej çdo presioni dhe pritjeje dhe ruan shpresën… se bukuria dhe dinjiteti ende ekzistojnë.
Si shpirti. Po dhe me guximin e përditshëm për përmirësim…

* * *

A thua është dashur një letërsi tjetër që të sjellë dhe ndryshimin tjetër apo ndryshimi tjetër sjell dhe një letërsi tjetër? – po pyesja veten.
Shqipëria e postdiktaturës nuk shfaqi empati të vërtetë ndaj të përndjekurve, vuajtjes njerëzore, po edhe ndaj letërsisë që erdhi nga burgjet dhe internimet, e dënoi prapë me harresë, sidomos pushteti çaktual, i zgjatur dhe i korruptuar i bijve të Bllokut të diktaturës. Kur duhej të dënonin të kaluarën e rëndë që na lanë etërit…

A thua ka faj letërsia, që është dhe ndërgjegje dhe kujtesë? Te ne kishte faj, as nuk diskutohet më. Realizmi Socislist, kërcëllijnë dhëmbët…
Po një popull që nuk lexon? Patjetër që ka faj. Se nis me veten, me çdo vetvete. Këtu po ndal. Ndryshimi është kulturë e përbashkët.

PREJ 800 JAVËSH ME GAZETËN LETRARE DHE KULTURORE “NACIONAL” Nga dr. Mujë BUÇPAPAJ

Të nderuar miq, sot është një ditë simbolike për stafin e gazetës letrare dhe kulturore “Nacional”, është java e tetëqindtë që jemi në treg, prej nga themelimi i gazetës në janar të vitit 2009.
Tetëqind javë nuk janë thjesht një shifër në kalendarin e shtypit periodik. Ato janë një rrugëtim i gjatë, i qëndrueshëm dhe i mbushur me përpjekje intelektuale, krijimtari, sfida të panumërta dhe përgjegjësi publike. Arritja e 800 numrave nga gazeta letrare dhe kulturore, javorja kombëtare Nacional shënon jo vetëm një jubile kohor, por një dëshmi të gjallë të një modeli editorial të qëndrueshëm, të pavarur dhe thellësisht pluralist në hapësirën shqiptare të medias dhe kulturës, por edhe ne një diolog nderkombëtar.
Në një kohë kur media shpesh luhatet midis presioneve ekonomike, politike dhe komerciale, “Nacional”(www.gazeta-nacional.com), ka zgjedhur një rrugë të veçantë: pavarësinë e plotë editoriale. Kjo pavarësi nuk është vetëm një parim i deklaruar, por një praktikë e përditshme, e ndërtuar mbi përkushtimin ndaj letërsisë, mendimit kritik dhe kulturës së lirë. Është pikërisht kjo autonomi që i ka dhënë gazetës mundësinë të mbetet një hapësirë e hapur për zëra të ndryshëm, shpesh edhe të kundërt, por gjithmonë të vlefshëm në dialogun kulturor.
Politika editoriale e “Nacional”-it është ndërtuar mbi një bosht të qartë pluralizmi. Në faqet e saj bashkëjetojnë autorë të traditës dhe bashkëkohorë, shkrimtarë të njohur dhe autorë të rinj, studiues, kritikë letrarë, poetë dhe eseistë nga hapësira të ndryshme kulturore shqiptare dhe ndërkombëtare. Ky pluralizëm nuk është thjesht një përzgjedhje teknike, por një filozofi kulturore.
Në këtë kuptim, “Nacional” është një gazetë elitare në standardin e saj të përzgjedhjes së teksteve dhe në seriozitetin e trajtimit të temave, por edhe gjeneraliste në hapjen e saj ndaj formave të ndryshme të shkrimit dhe ndaj një spektri të gjerë autorësh. Kjo e bën atë një platformë unike ku bashkohen estetika, kritika dhe reflektimi shoqëror.
Një nga dimensionet më të rëndësishme të këtij rrugëtimi është roli ndërkombëtar i gazetës si një urë e dialogut kulturor dhe letrar. Përmes përkthimeve, prezantimeve të autorëve të huaj dhe bashkëpunimeve me studiues e poetë nga vende të ndryshme të botës, “Nacional” ka kontribuar në ndërtimin e një hapësire të vërtetë të diplomacisë kulturore. Në këtë hapësirë, letërsia shqiptare nuk mbetet e izoluar, por hyn në një qarkullim të gjallë idesh, estetikash dhe përvojash ndërkulturore.
Ky dialog ndërkombëtar nuk është një luks, por një domosdoshmëri në epokën e globalizimit kulturor. Në faqet e gazetës kanë gjetur vend autorë, poetë dhe studiues nga vende të ndryshme, duke e kthyer atë në një pikë takimi ku kultura shqiptare flet dhe dëgjon njëkohësisht. Në këtë mënyrë, “Nacional”(www.gazeta-nacional.com), kontribuon në afirmimin e gjuhës shqipe si një gjuhë aktive në qarkullimin kulturor ndërkombëtar.
Një tjetër shtyllë e rëndësishme e këtij projekti editorial është promovimi i brezit të ri. Gazeta ka qenë vazhdimisht një hapësirë e hapur për autorë të rinj, të cilët kanë gjetur aty një platformë për të publikuar krijimet e tyre të para, për të eksperimentuar dhe për t’u formuar si zëra të ardhshëm të letërsisë dhe mendimit kritik. Ky dimension është veçanërisht i rëndësishëm, pasi garanton vazhdimësinë e kulturës dhe krijimin e një tradite të re letrare.
Po aq i rëndësishëm është edhe fakti se ky rrugëtim 800-javor është mbajtur gjallë përmes një modeli të vetëqëndrueshëm ekonomik. Për gati dy dekada, gazeta ka funksionuar pa burime të jashtme financimi, duke u mbështetur vetëm në shitjet e saj në treg. Ky fakt i jep një peshë të veçantë këtij suksesi, pasi dëshmon jo vetëm për cilësinë dhe besueshmërinë e përmbajtjes, por edhe për një lidhje reale me lexuesin. Në një treg mediatik gjithnjë e më të vështirë, ky është një akt qëndrueshmërie dhe besimi reciprok mes gazetës dhe publikut të saj.
Në fakt 800 javë me gazeten/revisten “Nacional”(www.gazeta-nacional.com), nuk janë vetëm histori e një medie, por histori e një ideje: ideja se kultura, letërsia dhe mendimi i lirë kanë nevojë për hapësira të pavarura, të hapura dhe të guximshme. Është një dëshmi se, edhe në kushte të vështira, një projekt kulturor mund të mbijetojë dhe të rritet, nëse mbështetet mbi pasionin, profesionalizmin dhe besimin në vlerat e vërteta të fjalës së shkruar.
Ky jubile nuk shënon një fund, por një vazhdimësi. Një ftesë për më shumë dialog, më shumë krijimtari dhe më shumë hapje ndaj botës. Sepse 800 javë janë vetëm një hap në një rrugë që, me siguri, do të vazhdojë të shkruhet.
Ky jubile i 800 javëve nuk mund të kuptohet pa falënderuar trupen e gjallë të këtij projekti kulturor: stafin e gazetës letrare dhe kulturore Nacional në Tiranë, Prishtinë, Ulqin, Tetovë, Shkup, Bruksel, New York, Gjakovë, Texas, Boston, Romë, Patra, Selanik, Athinë, Vjenë, Bazel, Londër, Paris dhe Stamboll etj, të cilët me përkushtim, profesionalizëm dhe dashuri për kulturën kanë bërë të mundur që kjo gazetë /revistë të mbetet një hapësirë e gjallë e fjalës së lirë dhe krijimit, një tribunë që frymezon idealin e bashkimit kombëtar. Në këtë rrugëtim ne vijojmë traditën më të mirë të shtypit kulturor kombëtar të themeluar nga Rilindasit tanë.
Një falënderim i veçantë u shkon mijëra bashkëpunëtorëve shqiptarë që, pa asnjë pagesë, por vetëm me humanizëm dhe idealizëm të shquar, kanë kontribuar ndër vite në pasurimin e faqeve të “Nacional”-it, duke e kthyer atë në një platformë të vërtetë të solidaritetit kulturor dhe intelektual.
Një mirënjohje e veçantë, e thellë dhe e përzemërt u drejtohet gjithashtu qindra bashkëpunëtorëve ndërkombëtarë të gazetës letrare dhe kulturore “Nacional” , poetëve, shkrimtarëve, botuesve, gazetarëve, përkthyesve, albanologëve, profesorëve universitarë dhe artistëve të njohur të skenës bashkëkohore botërore, të cilët, me fisnikëri intelektuale, pasion krijues dhe ndjenjë të lartë humanizmi kulturor, kanë pasuruar çdo numër të kësaj gazete. Kontributi i tyre i çmuar e ka shndërruar “Nacional”-in në një hapësirë të vërtetë ndërkombëtare dialogu, ku kultura shqiptare ndërvepron në mënyrë të natyrshme me kulturat e tjera të botës, duke e ngritur gazetën në një platformë të gjallë të shkëmbimit estetik, kritik dhe intelektual, si dhe të diplomacisë kulturore bashkëkohore.
Po ashtu, mirënjohje e thellë shkon për stafin teknik, punonjësit e shtypshkronjës, shpërndarësit dhe shitësit e kioskave në Shqipëri, Kosovë dhe në të gjithë rajonin ku “Nacional” shpërndahet në formë të shtypur, si hallka të pazëvendësueshme të këtij zinxhiri të gjallë komunikimi kulturor.
Një falënderim i përzemërt u drejtohet edhe të gjithë lexuesve dhe blerësve të gazetës, të cilët me besimin dhe mbështetjen e tyre e kanë bërë të mundur vazhdimësinë e këtij projekti unik kombetar. Suksesi i “Nacional”-it është, mbi të gjitha, rezultat i ndihmës dhe besimit tuaj.
Paçi gjithmonë bekimet e Zotit!
*Autori i shkrimit, poeti me njohje nderkombëtare dhe studiuesi i spikatur i letërsisë, dr. Mujë Buçpapaj, është themelues dhe botues i gazetës letrare dhe kulturore, javores kombëtare Nacional, e themeluar në janar 2009. Njëkohësisht, ai është edhe kryeredaktor i saj.

KJO ËSHTË E SOTME- Poezi nga PABLO NERUDA – Shqipëroi: ELIDA BUÇPAPAJ

Kjo është e sotme: e gjithë e djeshmja bie rrëmujshëm

Brenda gishtit të dritës dhe syve të ëndërrës

E nesërmja do të vijë me hapa të gjelbër:
Askush nuk e ndal dot lumin e agimit.

Askush nuk e ndal dot lumin e duarve të tua,
Të syve të ëndërrave të tua të dashuruara,

Je drithërima e kohës që përshkon

Dritën vertikale dhe diellin e errët,

Dhe qielli mbyllet mbi flatrat e tij

Duke të sjellë në krahët e mi

Me saktësi, me mirëpritje misterioze.

Prandaj unë këndoj për ditën dhe hënën,

Për detin, për kohën, për të gjitha planetet,

Për zërin tënd prej dite dhe trupin tënd prej nate.

 

22.03.2011

Elegji për LUAN ÇIPIN – In memoriam nga Përparim Hysi

Ç’është ky lajm që më tronditi?
Ka ndërruar jetë,LUAN ÇIPI!!!
LUANI;zemëroqeani!
Oh,ta dish,sa më dhëmb xhani!

Luani me zemër fëmije
Dhe në moshë pleqërie.
Luani që për miq e shokë
T’i ndihmonte,bëhej copë.

Qe njeri me shumë virtute
Shpirti i tij mbushur “resurse”
Janë”resurse” me shumë vlera
Jo me fjalë,po me vepra.

Shquhej qysh në rini
Si njeri me shumë aftësi.
U diplomua si ekonomist
Muzikant dhe sportist.

Qe njeri me shumë merita
Dhe botoi mbi 20-libra
Qe shkrimtar e qe poet,
Eseist-ekselent!

Mbi të gjitha qe NJERI;
Qe NJERI zemërflori!
Tek po shkruaj,nuk ndihem mirë
S’i them dot:-Lamtumirë!

E ndaj dhimbjen me HANËMEN!  *
SE KJO e ka të madhe dhëmbjen
Dhe me çupat e me djalin
Të rrojnë e ta kujtojnë LUANIN.

Këto vargje si ngushëllim,
Nga miku i tij,PËRPARIM!

* bashkëshortja.

                                               Tiranë,11 prill 2026

VRAPTH- Prozë nga RUZHDI GOLE

-Përplasa kokën në ajër…
-Përplase në ajër kokën? Po pse u
përplaska koka në bosh?
-Po, po përplaset koka edhe në bosh.
Koka plot.
-Të dhembi ?
Shumë. Po dhe AJRI u ngjeth. Edhe ajrit i dhembin kryet. M’u duk se ofshau.
-Ofshau ajri? Si ofshau, e pe, e dëgjove?
-Po, po, AJRI ndiu dhimba. Kur AJRI ndin dhimba ahere ndijnë krisje gurët e gurët nisin të luajnë vendit, shkundin baltën e squllët të tyre a ngricat e dimrit, shkundin shiun e tetorit a rrezet përvëluese.
-Pse kaq shumë ngrica flenë te gurët?
-Po, po flejnë e zgjohen, zgjohen e kërcasin
-Kaq shumë baltra i lerosin gurët, kaq rreze i ngrohin, i përcëllojnë dhe i djegin?
-Po, po, ngricat bëjnë sikur flenë mbi gurë. A si ke parë si rrokullisen ato tek amfiteatri nga shkallët deri tek skena dhe herët në mëngjes ngjiten këmbadoras nga skena e bëhen shkallë?
– S’e besoj…
-A s’i ke parë baltërat që marrin rrokopujë rrugë e rrugica, sheshe e shëtitore, kthina e gropa, gropa e rrëpira?
– E besoj …
-A s’i ke dëgjuar gurët dhe baltërat s’i zihen e rrihen me njeratjetrën në qytet secila duke u mburrur për trojet e veta duke shkelmuar e fluturuar të gllabërojnë pronën e tjetrit ?
-Po pse edhe gurët, edhe ngricat
gllabërojnë njeratjetrën?
Gllabërojnë – sikur më pyete? – Oj, të gllabëruar, oj të përtypur, oj ç’të qëlluar, oj, ç’të gremisur.
-E besoj, s’e besoj, eh, …
-Asnjera prej tyre nuk zë vend as këtu, as atje, unë e besoj por edhe dyshoj. Rrugët ato që ishin janë edhe nuk janë njësoj. Aty zgjerohen e plasin, aty ngushtohen në grykë e pëlcasin. Eh, aty qeshin e mbajnë neone, stola e pemë e lule në tabanin e tyre, aty psherëtijnë, zverdhen, squllen…eh,…eh…
-E besoj, s’e besoj, jetoj me gishtat tek petalet…
-Besoje pra… AJRI ka buzë të buta, por dhe brire sa s’ka. Të puth e të godet. Dhe kë godet e puth? Të urtët e vet. Më urtakët. Pemën që sapo doli nga stina e nxehtë, pellgun që i shkriu ngricat por e zuri drithërima nga thatësira ndër fletë. Dhe kë godet e puth ? Lodrat e erës në breg.
-Era luan në breg, në kopsht?.
-Era luan ku të dojë me rrasa e plasa, me cingël e gërnetë, me bigaçe llastiku. Era, hera herës, vret syrin e vet, jo syrin e të ligut.
-Era paska sy? S’e besoj, e besoj….
-A nuk ke dëgjuar s’e janë shurdhuar ca rrugë në qytetin tonë, se janë verbuar qelqet e ca dritareve? Rrugët kanë mbetur pa llagape ngaqë njerëzit e rrugëve ua shqyejnë dhe ua thërrmojnë atyre llagapet në bashki kush t’i’a zerë vendin njeratjetrës. Dritaret kanë mbetur pa vazo mëngjesi. Dritaret zgjohen, shkundin natën se mjaft u vyshkën nëpër natë, por edhe agu i gjen me kërcinj të thatë
-E besoj, s”e besoj, nata dhe dita janë e s’janë njësoj…
-Besomë mua, dita dhe nata kanë po ato duar, po ata sy, po ata veshë, në mos njeratjetrës ia japin të njëjtat gjymyrë herë të nxehta, herë rrebesh. Dita gatuan brumin, (ndoshta,) nata tinëzare brumin e helmatis.
-Po rrugët ku takohen, ku ndahen ?
-Gjithçka prej tyre është një, një e vetme, aty shembëllejnë nga dhëmbët, aty grinden e shahen. Se edhe rrugët shqepen, o njeri, për ndërtime të reja në qiell.
-S’i dilka toka njeriut, si dilka asnjë breg e bregore, s’i dilkan rrëpirat, grunjërat, plantacionet, revolucionet dhe luftrat për ta mbajtur vet gjallë e paqtë për të mos e shkatërruar këtë botë gjer në kockë ?
-Njeriut gjithçka i del e i tepëron, njeriu gjithçka e ndërton me njerën dorë dhe me tjetrën e thërrmon para syve të vet. Përderisa deri tani ne s’njohim e s’kemi parë botë bote tjetër, ahere këtu do shtohemi e do pakësohemi përhera (me drithërat, ujërat, sektet, sekset,)
-S’e besoj, më shkalafite fare…
-Përderisa njohim veç këto tipare të
motit, (ç’stinëra jetojnë në botën dreq e kateq nëqoftëse ka tjetër botë ?), ahere ne këtu do shpartallohemi e do shpallemi fajtorë të vërtetë e gënjeshtarë të pafajshëm, këtu do tokim duart plot gjemba të njeritjetrit, do qafohemi e kafshohemi, do qafohemi e kafshohemi, do përvëlohemi e ngrijmë…në pëqinjtë dhe portat e njeritjetrit.
-Më dhemb koka, po më plas, po më çahet…
-Qe besa, kjo është mbarësi e shkuar mbarësisë. Një kokë që dhemb e çahet ka farë e mend, diç prej kambane, diç prej rrezeje dhe … acari. Jo kambanë bosh.
-Oh, ç’poetikë, oh,…
-Çfarë ke, u plagose? Po të lëndon AJRI, po të plagos cifla e gurit, t’i dogji sytë vet’tima, t’i… Hajde dalin shpejt nga kjo gjys’ përrallë e shkojmë nga bregu tjetër.
-Mua njësoj më duken të gjitha brigjet : përralla, legjenda, heronj, dekorata, kuvende me foltore zjarri e grushtash.
-Oooo, shiko, shiko, paska dal era me stetoskop, paska dal Dielli me kufje në vesh, paska çel agu me trandafil në buzë, por si…si s’i pa askush ? As unë as ti, as tjetri, as tjetra.
As AJRI ?!!

Me penelin e shpirtit pikturoj petalet e dritës- Cikël me poezi nga KRISTAQ TURTULLI

.
Një poezi shumë e hershme e gjetur rastësisht në një fletore, kushtuar tim ati, që kur u operua për herë të tretë, nuk gjendej ne Korçe një limon të lagte buzët e zhuritura…
.
Limoni nuk bie prej qielli…
.
Në tavan e dhimbjes
rritet një pemë limoni
me rrënjë në plagët e operuara të tim ati.
Limoni nuk ka tokë,
As nuk bie prej qielli.
Limoni ushqehet me erën jodi
dhe psherëtimat e pambaruara të tim ati.
Lekundet Fruti i limonit si djalli,
mbi gojën hapur te semurit,
verdhësia e vjeshtesise
si një diell i varur me pendime.
U tha loti I limonit pa rene perdhe.
Babai nuk është më njeri,
është një det i qepur keq nga operacioni,
ku valët përplasen pa ujë.
Ai hap buzët dy dyer të ndryshkura,
dhe brenda tyre në shkretëtirë pi vetme fjalë
“Limoni…”
por fjala shndërrohet në imazhe të lodhura
ngjiten në mur dhe vdesin pa zë.
Unë kërkoj një gotë,
por gota eshtë bërë guaske,
brenda meje dridhet veç jehonë
e gjërave që nuk ekzistojnë.
Limoni mbi ne fillon të rëndohet,
pikon dritë të hidhur
që kurrë nuk arrin poshtë.
Në buzët e përthara,
me një gojë të mbushur me mungesë,
ndërsa fruti, në ajër plaket dhe një ditë
do të thahet pa rënë,
si një diell i vogël i refuzuar.
Ndërkohë, unë mbledh farat që s’ekzistojnë
dhe i mbjell në gjuhë,
duke shpresuar të rritet një ditë.
KRISTAQ@TURTULLI
JANAR 1968- 2026
.
Me penelin e shpirtit pikturoj petalet e dritës.
.
Pranvera nuk pret derën e motit,
ajo është brenda meje, zjarr i qetë.
Jashtë shiu godet tokën si kujtime të ngrira,
qielli ulërin mes lotësh të ftohtë
bora kafshon rrugët me dhëmbë të bardhë,
Me penelin e shpirtit pikturoj petalet e dritës.
derdh ngjyra që ende s’ekzistojnë,
dhe nga plagët e dimrit
rrjedh një dritë e egër…
një pranverë që nuk lind nga moti,
por nga rebelimi im,
pemët tashmë janë në flakërimë lulesh.
KRISTAQ@TURTULLI
.
Nipit tim, vogëlushit Peter Turtulli
.
Shkëndijim vezullues ndjeva në zemrën time,
mëngjesin e pranverës kur linde, burim dritësie.
Gëzim më dhurove vogëlush, ndjenjë krenarie.
Yll i çmuar për mua je, ngrohtësi shpresëdhënëse.
.
Me flladitje vogëlush erdhe mes nesh, me përtëritje.
Një jetë kam jetuar, kam parë shumë ditë,
Në stuhi jetova, krijova të panumërta shtigje,
S’krahasohet asgjë me gëzimin e ardhjes tënde.
.
Dua të mësoj fjalë të vërteta, të lashta, të reja,
Si të mbrosh ëndrrat dhe të gjesh shpresa,
Të tregoj si mund të jetë e nesërme bota,
Si të përpiqesh, të zbulosh çfarë fsheh jeta.
.
Në çdo e qeshur jotja, çdo buzëqeshje,
Për mua është gëzim, është ripërtëritje.
Sepse në shpirtin tënd, unë shoh ëndrrën time,
Breznitë tona zinxhir lidhur në përjetime.
.
Rritu vogëlush, rritu me shpresë e gëzime
Mos ki frikë, mirësinë, bekimin pranë gjithnjë e ke,
Kur të rritesh, për mua do jesh burim krenarie.
Nuk ka rëndësi, do jem në tokë apo mbi re…
KRISTAQ@TURTULLI
Mars 2025- Mars 2026
.
Në bebe të syrit mbaj lotin e ngrirë të nënosë.
.
Varur qëndrojnë në degët e mështenkave,
Hënat e zverdhura të fëmijërisë sime.
Mbi to lëkundet lot i ngrirë i nënosë.
Zhumshëm tundeshin sa herë frynte era.
.
Humba në pyllin me hëna të zverdhura
Të gjeja lotët e ngrira që kish varur nëna.
Përpiqesha tu shmangesha pëllgjeve dhe hidhësive,
Më lëndonin dhembët e yjeve.
.
Mbështillesha me petkun e bardhë të mështeknave.
Në bebe të syrit mbaja lotin e ngrirë të nënosë.
rëndonin mbi çatitë e gërmuqura të shtëpive,
Rrëshqisnin në sfalt më gjakosnin këmbët e zbathura.
.
S’më dëgjonte kush kur zë dridhur përshpërisja:
‘Ju lutem blini bajame të pjekura nga nëna’.
Era grindej, gërvishte rrugicat me thonjtë e pista.
Hënat e zverdhura e viteve të largëta fëmijërisë,
Varur qëndrojnë në degët e drithërimave,
Tunden zhumshëm sa herë fryn era.
Në bebe të syrit mbaja
Lotin e ngrirë të nënosë.
KRISTAQ@TURTULLI
.
Kosovë, Tokë e Zjarrit dhe e Dritës
.
Kosovë,
emër që del nga dheu si psherëtimë,
si gur i lagur me gjak e shi,
si këngë që s’u këput kurrë në grykë,
Në qiellin gri…
Kosovë.
Në fushat e tua fryn era e lashtë
e betimit e besës e bukës së ndarë,
e nënave që pritën me sy kah mali,
e burrave që shtrënguan tokën e të parëve,
E zemra e tyre kurre nuk ndali.
Në Prekaz u ndez një flakë
që s’ishte vetëm zjarr armë,
por dritë që kërkonte agimi,
Mbi supet e historisë u ngrit emri
Adem Jashari,
që kurre nuk përkulet, si lisi
si gur që nuk tretet në furtunë e shi.
Kosovë,
ti u bëre flamur dhe plage
lot dhe njekohesish këngë
Në netët e errëta, me britma u mbush qielli,
ti mbete gjallë në ninullat e nënave,
në pëshpërimën e fëmijëve që mësuan fjalën “liri”
para se të mësonin A, B C-ne.
Në Reçak me zë të rëndë toka foli
bota dëgjoi dhimbjen që nuk u fshi,
kujtimet u ngritën nga hiri
Endrra vigjëlonte majë lartësive per liri.
E kur erdhën ditët e kthimit,
Me hapa të lodhur u mbushen rruget,
por me sy të ndezur nga shpresa.
Mbi kupën e qiellit u hap një dritare,
Plot drite, nga Prishtina
u dëgjua fryma e një populli
mbijetuar në ardhjen e çdo mëngjesi.
Kosovë,
lufta jote nuk është vetëm armë,
është mënçuri,
qëndresë në heshtje,
është gjuha që s’u ndal,
shtëpia e rindërtuar gur mbi gur te syri.
Ti je toka që botës i mësoi
se liria lind nga dhimbja,
por rritet me dinjitet dhe fisnikeri.
Kosovë
në çdo agim që çel mbi malet e tua,
dielli duket sikur ndalet një çast,
që të përshëndesë
një popull që kurrë nuk u shua.
KRISTAQ@TURTULLI
.
DËBORA BINTE PARA DRITARES SIME
.
Dëbora binte para dritares sime,
ngadalë, si të kish frikë mos më zgjonte.
Me kujdes zbriste çdo flok bore,
si një kujtim që dhemb pa zhurmë
mbi gjërat që s’janë më.
Bora bardhë zbardh gjithçka,
por mallin s’e mbulon.
Ai zgjuar rri,
si një dritëzë e vogël
në fund të shpirtit tim
Më merr për dore
dhe më çon te Korça ime,
në rrugët ku bora kishte emër,
ku nata këndonte serenata
dhe zemra
s’dinte ç’ishte largësia.
Bora bie, ngadalë bie
më çon te nëna ime:
te zëri i saj i butë,
te dora e saj që borën fshinte,
nga supet e mia të vogla,
te ndriste fëmijëria…
Por unë fëmija nuk e dija
Sa shpejt nxitonte dhe ikte jeta.
Tani këtu, milje larg, bora bie ndryshe.
E bardhë.
E qetë.
Akull e ftohtë.
Por brenda saj
fsheh një ëndërr të vjetër
atë që më mëson
se gjithçka që humbëm
Mes nesh, ende jeton.
KRISTAQ@TURTULLI
.
Vitet e mërgimit vërtiten si gurë në tespihe
.
Vitet e mërgimit vërtiten si gurë në tespihe
Ne atdhe njejta dajre bie
Në gishtat me kallo të shekujve.
Dallgët pështjellimi e rrokopuje
ngrihen mes lotësh, male.
Këngët joshëse të sirenave
të dehura rrinë
mbi dete dhe oqeane.
Skërmiten ujqit mes fshatrave që nuk gjenden në pyje
Muret e rrënuara grinden me erërat anonime
Qytetet përtypen në heshtje,
mbeten sa një guaske veze.
Secili prej nesh, ndoshta një Odise më vete,
secila grua, ndoshta një Penelopë pa sepete.
Brezlëshuar mbeti fjala brezave.
Makinat shkojnë e vijnë mjegullnajeve.
Shalli i nënës: dert, mall, dhimbje,
shtëllungë e ronitur reje.
Amaneti i babës: gërmuqje e shkëndijë rrufeje.
Malli i pashuar mbeti në shkrepa dhe brigje.
Në memorie mbeti serenata e hershme:
“Dua më shumë Shqipërinë.”
A mund të jetë kjo e vetme?
Atdheu bëhet gjithnjë përgjysmë,
Pa amanete?!
Vitet e mergimit verteten si gure ne tespije.
Ne ardhe e njejta dajre bie…
KRISTAQ@TURTULLI
.
Motrës sime Krisanthi ( që u nda nga jeta para dyvjetësh)
.
Motra ime e brishta, shpirt bukura,
ëndërr çiltëra.
Dikur me fustane basme, të holla,
mollëza të përskuqura
nga ëndrra që s’u tha.
Me gishta të bardhë, delikatë,
në dritaren me stalaktite
vizatoje zogj pendëartë.
Hu, hu — hukatnin
doçkat e mia të vogla, të ngrira.
Mi puthje, mi ngrohje me buzët e bukura.
Jashtë skërmitej e ftohta, ngrica,
qielli mbushej me lot kristalorë.
Doje, motra ime, të krijoje diell të ngrohtë,
Qiell të kaltër, me zogj këngëtarë,
pa shpendë grabitqarë.
Ndaj në qiellin kristaltë vizatoje,
Pranverë, nuse të veshura me fustane
të bardha nusërie…
Por ishte dimër, tmerrësisht ftohtë,
dhe zogjtë të trembur fluturonin, një nga një,
me mot të vranët dhe rrufe
drejt të largëta, të pajohura vise.
E ëmbla motra ime,
të mundonte vetmia e madhe,
edhe pse gjendeshe
mes një turme zhurmëmadhe.
Si zog i brishtë dridheshe,
nën një strehëz të vogël,
nën furtunë shiu dhe ere.
Krisanthi e mira motra ime,
krahë dallëndyshe në qerpikë,
Ngado dhuroje botë drithëruese mirësie,
dëlirësie, dhembshurie, dashurie.
Sërish hidhje në kanavacën e bardhë
një diell me shtatë ngjyra drite
dhe zogj pelikanë pendëartë.
Dhe pse ike, motra ime mbete,
mirësia, dashuria, vlera, fisnikëria vetë,
që rrallë bën nëna në këtë jetë.
KRISTAQ@TURTULLI
.
BORA, NËNA DHE UNË
.
Bie bora para dritares sime.
E shoh nënë dhe të flas në heshtje:
e mban mend këtë borë të bardhë,
Shpesh me ere dhe furtune?
Ti nuk përgjigjesh me fjalë.
Në këtë fund dhjetori vjen me ngrohtësi,
si një dorë e butë shallin më rregulloi
Tani në moshë të thyer, zemra më drithëroi.
Në hatulla, pëllumbat strukur janë.
“Mos u trembni,” u thoshe nënë,
“dimri kalon, ju ngroh nëna”
Ashtu siç ma thoshe mua
kur kthehesha nga shkolla duar të ngrira
dhe sy nga thëllimi të lagura.
Bora e bardhë bie ngadalë
Më çon larg, ku nata këndonte serenata
dhe ti nënë dritaren hapje ngadalë,
kënga të më përkundte, të më zgjonte.
Të kujtoj nënë, te pragu i derës më prisje,
Bora e bardhë të zbardhte flokët e bardhë,
Më përcillje, sikur bota të mbaronte pas meje.
Sot, bora e bardhë bie ndryshe.
Zëri yt më përgjigjet në çdo heshtje.
“Jam këtu, aty ku më mendon,
sa herë bie dëbora, sa here ka ere dhe furtune,
ti vjen heshtas, ëmbël te unë,
Nene. Si kjo bore e bardhë …
Dhjetor 26. 2025
KRISTAQ@TURTULLI
.
FUND VJESHTE
.
Fund vjeshte
Oh, ja!
Pelerina e gjelbër e barit u tha.
Fletët e fundit, të zverdhura,
ngadalë rane,
me lëndim pyllin lanë,
ngjyrat e mrekullueshme
shkuan, u tretën,
si vegime që veniten në kujtesë.
Purpuri, freskia,
flokët kaçurrela të mëngjeseve,
rruazat e argjendta të vesës,
Ne mjegull u shkrinë,
Dhe faniten si relike të vjetra.
Oh, ja!
Si femër e lënduar,
vjeshta fustanin flaku,
varëset, vëthët e arta,
të kuqen e buzëve
me lot e lau,
me dhimbje e fshiu.
Sekretin e saj të fundit,
plakërinë,
e zbuloi pa druajtje.
Moskokëçarëse, gjarpëruese,
bryma zbret,
depërton në palcë, të përvëlon.
Oh, ja…
Fleta e fundit ra.
Dhe vjeshta,
marrëzisht, drejt zhdukjes
shkau.
Por përsëri një puthje e fshehtë
E një hënë të bardhë u dha…
Shkelqimi dimeror mbi qerpikë ra…
Kristaq@Turtulli
.
Kristaq Turtulli
SIKUR FARE PAK TË MË DESHE…
.
Sikur fare pak te me deshe…
Hënën si medalion në gjoks do kishe,
Me mrekullinë shumëngjyrëse të vjeshtës do visheshe,
Si princeshë do rrëzëlloje.
Ashtu e magjishme do më dashuroje..
U përkuqe,
mënjanë kryet ktheve.
Kujtova se ishin naze.
Çuditërisht ylli polar ne mes u thye,
Nuk mundi te dergonte pershendetje.
Sikur fare pak të më deshe.
Më dëgjon, sikur fare pak të më deshe…
U përtype, s’fole,
E përhumbur, mes të natës, udhën e shkretë humbe .
Krisën yjet si xhama, ranë përdhe
i bëri gjerdhan ne qafë,
qeni me këmbë pate…
Hej, sikur fare pak te me deshe…
Ti nenqeshe,
Moskokëçarëse, shkunde nje peme vjeshte.
U thyen nje nga nje
shkallinat e argjenda,
Shpresa të ngjitesha
Në liqenet vezulluese të hënës u pre.
Sikur fare pak të më deshe.
Do pija me nje frymë
Verën e butit të endrrave.
Ti qeshe,
Do deheshe, më the. Bota me ty do talleshe.
dhe syrin e majte perdrodhe.
Era më tundi, shkundi si karthje.
Degdisi tutje një fjalë zemre.
Rrëzoi përdhe gjethet nje pylli vjeshte.
Eh ! Sikur fare pak të më deshe,
Të bëje reale një puthje.
Do kish shumë puthje,
drithërima të sinqerta dashurie,
Qielli do ishte në perskuqje mirësie…
Sikur fare pak të më deshe…
Me perden e mjegulltë qeshjen fshive,
Me the: Hej, të gjitha jane imazhe
Yjet dhe hënën i kemi me vete…
Si mundemi kur ato i theve?!
Do gjenden ne te tjera universe…
Ah! sikur fare pak të më deshe…
KRISTAQ TURTULLI

LYPIM  AJËR- Tregim nga RUZHDI GOLE

 

 

 

Kërceva përpjetë. M’u trallis gjumi, m’u llaftaris.

Edhe frika u hodh përpjetë.

( Hidhi tutje!- tha buzëthati. )

-Ku t’i hedh ?

-Shtiji ku të duash, gremisi !.

Ç’të gremis? S’është gjë e rëndë, një grusht

dhe do përsipër.

I rëndë, i lehtë, në të s’ëmës – tha buzëthati.

Nuk sheh ç’bëhet, o qorr? Mund të na shohin, të na ndjekin

Unë paksa nuk shihja mirë, por qorr…

– ia preva mendimin shkurt vetes.

Tjetri, i vdekun s’gremiset- mendova.

Edhe vdekja ka gjumin e vet, edhe

ajo zgjohet.

Ç’the ?- më pyeti ftohtë buzëtrashi.

(Dëgjoi ndonjë fjalë, fola me vete.?)

Edhe vdekja meriton të nderohet –

i thashë prerazi buzëtrashit..

(Ai u tromaks. )

– Ç’the ? Po pse vdekje

është kjo e këtyre të humburve ?.

Ndryshkur dhjetë vjet – belbët fola.

Dhjetë vjet ndryshkur pse i mbanim,

pse i fshihnim, ç’na duheshin …

 

Përse po flisnim ne të dy me natën

në mes? Na ngatërroheshin keq

ngjarjet. Herë mua më dukej sikur

kudo që shkoja mbaja një trastë

të madhe me vete mbushur me …

(me se ?), herë më dukej sikur

tërhiqja një rrjetë peshku … në

kodër. Në kodër? Ç’tringëllonte

rreth meje, rreth tjetrit, përqark ?

Lajthitur ngasjet e ngjarjet

dhe ne të lajthitur.

 

Ç’kishim me vete?

 

Mua më rëndonte gjithçka. Pastaj

gjithçka më bëhej pendëz.

Po fle në këmbë ? – e ngacmova shokun.

-Kush po fle? Ti po fle?- kërceu ai përpjetë.

M’u duk sikur tjetrit iu holluan buzët,

iu leqendisën këmbët, zëri iu hollua.

-M’u shpif më keq – tha buzëholli.-

m’u bë gjëmë e stërgjëmë kjo e

përpjetë sonte.

Përplasi fort pëllëmbët sikur donte

t’i thoshte gjithçkaje përreth të shporrej.

Më hëngri frika. Gremise ! – tha buzëholli.

(Kë të gremisja ?)

Po fliste për këlyshin, ndoshta.

Bukën e tjerëve hamë edhe ne –

mendova në të qetë.

Ç’të gremisja.?

Një lepur ? S’ishte as lepur as bushtër.

Ishin prangat e një të burgosuri.

Po i burgosuri pa pranga ku ishte ?

S’ishte as njera as tjetra…

Gjysma lajthitur unë tani ?                                                        

Hilja, frika, grushti krruspull ishin aty?

Pështyma, pështirosja?

Shkelmi, thika, satëri?

Po lajthis, më duket …

(Dikur shkruaja ose bëja sikur shkruaja.

Edhe tani nuk përmbahem dot nga

frymëzimi thurrshthurr e nuk di

ku jam, ç’kujtoj, ç’flas.

Jam dhe s’jam me veten, me tjetrin.)

 

O, dreq dreqnish, ç’të gremis tutje?

Gremisëm ç’ishte për t’u gremisur.

Gremisëm edhe veten. Shkonim nga

shkonim dhe para syve na dilnin ata.

Cilët ata, thuama?

Të gremisurit tanë, pra. Të afërmit tuaj

gremisur prej nesh.

Në ç’kohë ndodhi kjo ? – më pyet ti.

– Po ku kishte kohë ahere, o njeri ?  Koha ishte vdekje lepuri. Ngordhje lepuri. Vdekja ishte shurrë që lante fytyrën e kujtdo.

 

(Mos e tepëro, o njeri, mos…Nuk

mund të flasësh kështu. Mos shkruaj

asgjë nga këto – sikur i thoshja vetes.)

 

Vdekja ishte pjesë. Pjesë e secilit,

mysafir dite, po më shumë nate.

Vdekja nuk është poeti, o dështak –

shava veten ndër dhëmbë.

 

(Groposi thellë, thellë e më thellë –

sikur më tha atëhere buzëholli.)

Buzëholli a buzëtrashi?

Po ngatërrohesha me veten.

(T’u dhimbska një lepur ?-

zë nga hollëtrashi.

Ç’lepur ?- iu gjegja.)

 

Si iku ajo natë, ajo gjëmë as Zoti nuk e di.

Zoti nuk i di të gjitha. As fati s’e di ngahera

shtegun e vet. Pse e di nata kur do të gdhihet ? E di njeriu se kur do të vdes?

Përcolla pështymën e helmatisur

tëposhtë grykës. Grykës si fyell.

 

M’u trallis gjumi, m’u tromaks. Dhjetë vite

copa-copa gjumi im. Rrahëm rojen e bankës, nuk na jepte çelësat, ia rrëmbyem, tërhiq e tërhiq, thua ia shqyem këmbët.

Hëngri e hëngrëm grushte, përplas nofullat, çelësat ia vodhëm.

 

(Atëhere jetoja të njëzetat unë. S’e doja

shkollën, më rrëmbeu rruga… )

 

Do prisnim një natë qameti e do shkonim

prapë tek banka. As vet s’e dinim pse do

shkonim. Zakon hajduti. Brava do ishte tjetër. Do shkonim atje. Na duhej një kafshatë bukë për të jetuar.Do lypnim ndonjë qindarkë nga njerëzit që hynin e dilnin nga porta e madhe rrëshqitëse e bankës në ora 8 të mëngjesit.

 

Shkuam njëdizaj… Njerëzit, në bankë, hynin

me çanta, me qese, me-e-e- (m’u mbajt goja,) por dilnin nga banka me duar bosh duke rrëshqitur (???!!!) sa na afroheshin.

Çudi e madhe.! I nxirrnin të hollat nga ndonjë portë tjetër?

 

U përmenda. Më doli gjithë gjumi. Sikur m’i

shkundi edhe veshët.

I gropose, o dreq nate ? – më pyeti buzua.

– Po, jo, po – iu gjegja përçart. Tani, ne sikur

s’merrnim frymë. Frymë merrte përçartja jonë.

 

A i vërvita atë natë a më ranë tek këmbët

çelësat s’e mbaj mend. U pëshjellova keq

me veten. Groposa çelësa, groposa lepur,

(njeri asnjëherë), nuk mbaj mend asgjë.

Ne, lypësat s’para të vrasim, tek e shumta

të grabisim. Ne, hajdutët, tani u bëmë

lypësa. Lypësa jemi, hajdutë të vegjël.

 

…Sot e përdita e përnatë sa herë i afrohem

bankës tek rruga e portit në hapa më bëhet

sikur tringëllijnë çelësa. Mund të ishin edhe

pranga, mos o Zot, po ta kishim vrarë atë

natë rojen. Po prangat vihen në duar.

Unë vet i prangos ndonjëherë duart,

nuk i prangos, i çpoj me pirunj.

 

– Ku do dalim të lypim nesër ?

Nesër është nesër, por çdo

hamë sonte ?- sikur më tha

buzëthati, buzëtrashi

e buzëholli njëherazi.

 

Ju çdo lypni, o njerëz.?

Ne përditë e përnatë

ia lypim e ia hypim

njeri – tjetrit.


Send this to a friend