Ishte pragfestash, java e fundit e Nëntorit. Albina ecte me ngut buzë Lanës, nën një shi të imtë të paparashikuar nga meteorologët për pasditen e asaj të hëne. Cingërima e celularit brenda çantës së thjeshtë, por elegante, nën ritmin e shiut të bezdisshëm, dëgjohej e shuar dhe kjo e bënte disi të pa rëndësishme. Ajo e ruante si hajmali celularin e parë personal, të cilin ia kishte bërë dhuratë babai ditën, kur mësoi se e bija kishte fituar të drejtën e studimit në shkollën e lartë për farmaci, pikërisht në degën e pëlqyer prej tij. Edhe vetë ishte farmacist dhe dëshironte t’ia linte trashëgim vajzës së madhe profesionin dhe farmacinë, që e kishte fituar nga procesi i privatizimit. Ditët e para të universitetit, komunikonte pothuajse çdo ditë me të shtëpisë. Gjatë bisedave ndihej në gjirin e ngrohtë të familjes. Muajin e dytë i rralloi telefonatat, pasi e pa se kostoja ishte e ndjeshme për xhepat e një studenteje.
Pasi bëri disa hapa, celulari cingëroi përsëri dhe ajo përsëri nuk e hapi.Me cingërimën e tretë, nuk duroi dot më. Do të jetë mami, që ngulmon kaq shumë, mendoi dhe shtypi butonin.
-Syrpriiiizë!… -tha me zë të zgjatur folësi në anën tjetër, që i shkaktoi vajzës ca pulsime të forta të zemrës. Ajo shtangu ca çaste pa lëvizur, duke mos e përfillur shiun freskues, që po ia ngjiste rrobat pas mishit.
-Mos ke humbur zërin, zemra ime? –i erdhi përsëri i qartë zëri nga krahu tjetër. Ai zë i njohur ishte si rrufe në qiell të kthjellët.
-Bertiii! -thirri ajo frymëmarrur nga emocionet.
-Syrpriiiizë! –përsëriti Berti pa u ndikuar nga emocionet e Albinës.
– Bertiiii!…Më kërko më parë ndjesë që nuk ke ardhur të më takosh gjithë këto ditë… As më ke telefonuar, -ia ktheu vajza. Por Berti e ndjeu se ishte një qortim përkëdhelës dhe jo shpërfillje ndaj të papriturës që po i afronte.
-Dashuria do prova, zemra ime… Dhe prova jonë doli e suksesëshme. Vuajtja ime e papërshkruar gjatë këtyre ditëve, dhëmbshuria me të cilën m’u përgjigje ti, belbëzimi dhe malli që ndihet në zërat tanë, janë provat më të mëdha të dashurisë së amëshuar.
-O Bertiiii! Pse, deri tani nuk më ke besuar, që më vure në këtë provë torturuese?…
-Sa naive je zemra ime.,, Desha të thoja sa e çiltër…
-Ta dije ti, Berti im i dashur, sa të gjata më janë dukur këto ditë, se në leksione kam qëndruar si mumje, se pasditeve kam pritur me ankth të më kërkoje te porta e godinës apo të shikoja emrin tend kur cingërinte celulari, nuk do të duroje kaq gjatë pa më takuar e pa më folur në telefon.
Në të vërtetë ato ditë vajza herë zbehej e herë zymtohej si natë me hënë e me re. Gati kishte prerë komunikimin me shoqet e dhomës, madje kishte rralluar dhe bisedat telefonike me familjen. Por prindërit, që formulojnë gjithmonë mendimet më të mira për fëmijët e tyre, mendonin se vajza ishte përshtatur me mungesën e familjes dhe u ishte shtruar studimeve.
-Bëra shaka, jeta ime. Nuk ka nevojë për asnjë provë mes nesh. Kam qënë ca ditë matanë detit, në Itali. Tërë këto ditë jam përpjekur të sajoja diçka të bukur për ne të dy. Dhe ia arrita. Nuk e merr dot me mend çfarë dhurate të kam përgatitur për festat.
Berti njëzetë e një vjeçar ishte i pari djalë, i cili i ishte afruar Albinës që javën e dytë të universitetit. Natyra i kishte dhënë atij sy të zinj vezullues dhe flokë të dendur me oshilacione korb të zinj. Albinës i kishte pëlqyer pa masë me vështrimin e parë. Edhe Berti, me fytyrën e ndritshme, e kishte marrë me sy një copë herë vajzën dhe i qe dukur shumë e këndëshme. Karakteri i Albinës ishte i gjallë, si vajzë e lirë dhe e përkëdhelur, por edhe e pastër dhe e dëlirë si bora e maleve te Gramozit nga kishte ardhur në Qytetin Studenti. Që në takimet e para, djaloshi i shkathët, iu duk i vetësigurtë dhe i drejtë. Shkurt ajo i ishte përgjigjur… Edhe në ato çaste ajo ishte përpirë nga ligjërata e tij dhe nuk ndërmendëte ndonjë çast më të gëzuar në jetën e saj. Dëshironte ta dëgjonte pa pushim atë zë, që i kumbonte në zemrën e saj të patrazuar më parë nga ato ndjesi të forta ekzaltuese, që kishte provuar në çdo takim me Bertin.
– Ah, zemra ime, në vend të heshtjes, flasim për syrprizën! –ia ndërpreu mendimet i adhuruari i saj zëftohtë, por Albinës i dukej i ngrohtë si vala e gjakut që i vërshonte në deje nga dashuria për të. Me gjithë atë ajo ngulmonte t’i shpjegonte se nuk mund të duronte asnjë ditë pa u takuar e pa komunikuar me njëri-tjetrin.
-Të prëmten pasdite do të shpjegoj gjithçka nga afër, por dëgjo syrprizën tani, -iu përgjigj Berti dhe, pa pritur miratimin e saj, filloi t’i fliste për surprizën:
-Një uikend përallor për ne të dy…
-Vetëm ne të dy?! –tha vajza sa e hutuar aq edhe e gëzuar.
-Po, vetëm ne të dy. E ka pronotuar një kushëriri im në një agjensi turistike italiane. Kam në xhep dy bileta trageti për në Torino. Të shtunën në mëngjes nisemi.
Albina nuk kishte ndier ndonjëherë një ngazëllim të atillë. Sa bukur e madhështore tingëllonin në trurin e saj fjalët e reja, të panjohura më parë, që kishin hyrë në ligjërimin e përditshëm të shqiptarëve: uikend, sponsor, pronotim… Jehona e tyre përhapej nëpërmjet rrëmbave të gjakut në tërë gjymtyrët e qelizat e trupit. Ajo donte ta kishte afër Bertin, t’i varej në qafë, ta përqafonte e ta puthte me tërë afshin e zemrës. Surpriza që i afronte i dashuri ishte vetë mrekullia. Sa kohë kishte që ëndërronte një udhëtim jashtë shtetit. Kishte bërë zili shoqet e shkollës, që kishin ikur me prindërit në mërgim për bukën e gojës. S’donte t’ia dinte për motivet, mjaftonte të iknin në vende të tjera të panjohura. Bile ndonjë herë i kishte shkuar në mend të kishte qënë më mirë e varfër. Sa herë kishte lakmuar fatin e vajzave, që kishin lënë mësimet dhe ishin martuar me emigrantë, pa ditur se ku shkonin e çfarë do të bënin më tej. Etleva, shoqja e saj e tetëvjeçares ishte martuar që në klasën e parë të gjimnazit me një djalë të panjohur, të cilin ia kishte prezantuar një shoqe e klasës nga një fshat i largët, vetëm e vetëm se ishte refugjat në Greqi. Pas dy vjetësh Etleva ishte rikthyer në shkollë, duke filluar mësimet atje ku i kishte lënë. Aventurë kurajoze dhe romantike, e kishte quajtur Albina. Por mendimet e nbukura, që ia kishin ndezur imagjinatën, ia ndërpreu Berti.
-Hë, Bina, nuk u befasove nga syrpriza e bukur që të bën i dashuri yt në prag të festave?… Do të vizitojmë Romën, e dashur!…Pse nuk më thua një fjalë?
-Pikërisht se u befasova, se u emocionova, Nuk di si të përgjigjem. Më duket si një mrekulli e rënë nga qielli.
-Ha-ha-ha! Domethënë të pëlqeu. Sa më lumturove, e dashur.
-Cilës vajze nuk do t’i pëlqente një udhëtim kaq i papritur. Ngjan si një film: Një provinciale në Romë. Po deri sa thuhet se të gjitha rrugët të shpien në Romë, cila rrugë mund të jetë para dashurisë. Më ka mbetur në mëndje filmi “Beteja për Romën”, ku vajza e të parit të qytetit i tha pushtuesit Totila: “Edhe zogjtë këtu këndojnë: To-ti-la! To-ti-la! To-ti-la!…” – këto fjalë Bertit i tingëlluan tërë përdëllim.
-Atëherë ti je jo vetëm e dashura ime, por edhe poetja ime, Na mbetet të fillojmë përgatitjet për udhëtimin madhështor. Të prëmten pasdite do të takohemi dhe do të flasim për detajet e udhëtimit.
– Po prit,ore! Prapë nuk do të takohemi ne deri të prëmten?…O Bertiii? …
Në vend të përgjigjes, dëgjoi sinjalin e mbylljes së telefonit në krahun tjetër. Si e mbyll kështu telefonin, ky Bertiiii! Tha me zë.
Nga e marta në pasditen e të prëmtes, Albina i binte pa pushim numrit të Bertit. Po zilja nuk cingërinte deri sa vinte përgjigjja e kompjuterit: personi i kërkuar mund të ketë mbyllur telefonin. Asaj as i shkonte në mend se të rinjtë në moshën e saj mund të përdornin dy celularë. Por trishtimi e zemërimi me të dashurin e saj, për shkak të moskomunikimit, shpejt e zëvendësonte arsyetimi se i dashuri i saj ishte i zënë me përgatitjet e udhëtimit. Shpirti i saj ishte i garkuar nga ëndërrat, ndërsa produktet e imagjinatës kapërcenin çdo limit. Ajo përfytyronte një udhëtim të bukur me një anije luksoze si Titaniku, përfytyronte Italinë e bukur dhe Romën Koloseut.
Pas surprizës së Bertit, falë atij kushëririt të tij bujar e zemërmirë, nuk ekzistonin më leksionet, leximet, detyrat studentore. Pasditeve merrej me punë të kota, qeraste shoqet, shetiste nëpër mjediset e Qytetit Studenti dhe lozte e qeshte nëpë korridoret e godinës së fjetjes si një çupëlinë e dehur nga lumturia. Natën përpëlitej në shtratin e pagjumësisë, duke e munduar dilema: t’i vinte në dijeni prindërit apo të shkonte pas të dashurit të saj symbyllur. Intuita i thoshte se ishte e vështirë të binin në një mëndje të dy palët. Ajo e dinte se në shtëpi të gjithë e prisnin me padurim, për të kaluar së bashku festat. Ndonëse nuk kishin kaluar as dy muaj, i kishte marrë malli shumë për vajzën. Po aq edhe atë për familjen. Ishte hera e parë që largohej nga shtëpia. Shpesh i mbusheshin sytë me lotë. Përfytyronte se do të ishin festat më të gëzuara në jetën e saj, për shkak të statusit të ri dhe largësisë dymujore nga gjiri i familjes. Nga ana tjetër imagjinonte mrekullira të tjera shumë më entuziaste e më zbavitëse, që do t’i falte i dashuri me surprizën e tij të paimagjinueshme më parë. Dëshira për të dalë jashtë shtetit të saj ishte e papërballueshme. Heronjtë e librave nuk i dukeshin asgjë para refugjatëve, që kishin kapërcyer telat me gjemba.
Dhe, sa herë zhytej e pështjellohej në mendime, duke mos gjetur dot zgjidhjen më të arsyeshme, të mos qejfmbetej as i dashuri as familja, kapte celularin dhe i bënte zile Bertit. I thoshte mëndja dhe zemra se ai do t’i jepte zgjidhjen e duhur. Por telefoni i tij gjëndej gjithmonë i mbyllur. Pastaj merrte mamin, duke dashur t’i tregonte për surprizën e afruar, por ndërronte mëndje dhe fliste për gjëra të rëndomta, si: çfarë ke gatuar për darkë?… Po për drekë ç’kishe gatuar?… Si është Majlinda me mësime?…Ndonjë herë i thoshte mendja t’i hipte autobuzit të linjës që në datën 26 në mëngjes dhe surprizën t’ua bënte ajo prindërve, duke mbritur në shtëpi një ditë para ditës kur e prisnin ata.
Shpesh edhe në lëksione ia përcëllonte trurin dilema torturuese. Të ikte pa lejen e prindërve, i dukej absurditet, e pa mundur. Të mos shkonte me të adhuruarin e saj në udhëtimin përrallor, i dukej se humbëte gjysmën e botës. Në ato çaste koka i digjej furrë, zemra i rrihte gjoksin, sikur donte të dilte jashtë dhe t’i tregonte udhën e drejtë që duhej të ndiqte. Sa herë shtronte pyetjen se çdo të mendonin babi e mami, po të shkonte pa i vënë në dijeni, e jepte vetë përgjigjen: Këto vendime duan konsultim me prindërit, por duan edhe guxim e kurajo. Me gjithë atë, në thellësinë e shpirtit, e kishte bërë zgjedhjen: Të shkonte një herë në Romë me të dashurin, pa bota le të përmbysej.
Të prëmten pasdite, rreth orës tetë, ra zilja e telefonit. Kur në ekranin e celularit u shfaq emri i shumëpritur i Bertit, në fytyrën e saj u shpërfaq ajo që poetët e quajnë “poezia e ndjenjave”, një ngazëllim i shndritshëm, që nuk mund të shprehet me asnjë fjalë. E shtypi menjëherë butonin dhe zëri i tij i erdhi më i plotë dhe më i vendosur se çdo herë tjetër:
-Hë, e ke bërë gjithçka gati për nesër?
-Por unë, o Berti, të pres në takim sot, siç më premtove. Pak kohë na ka mbetur për të sqaruar detajet e udhëtimit dhe plot gjëra të tjera.
-S’ka gjëra të tjera për të diskutuar. S’e gjejmë më këtë rast. Një herë jepet shansi, thotë amerikani dhe, po nuk e shfrytëzove, mos t’ua kesh inatin të tjerëve.
-Po si do të shkoj unë deri në Itali me një djalë të panjohur, o Bertiiii, pa lajmëruar shtëpinë?!…
-Pse një djalë i panjohur jam për ty, zemra ime?!…
-Po jo, o Bertiii, nuk desha të thoja atë. I panjohur pë familjen time..
-Po ç’prite atëherë gjithë këto ditë? Pse nuk i ke vënë në dijeni?…
-Po unë doja ta diskutonim bashkë, o Berti. Ne ende nuk jemi prezantuar me prindërit. Mbase ata donin të dëgjonin edhe ty, të merrnin një siguri më të madhe prej teje.
-Ç’u bë u bë tani, Bina. Nuk ka më kohë për të humbur me biseda emocionale. Vendimi është marrë, janë prerë biletat, janë pronotuar hotelet. Sponsorizuesi ka harxhuar një thes me para…-Zëri i tij erdhi i thatë si zhurmë llamarine.
-Po si, o Berti, pa dijeninë e prindërve do të vij unë?! –lutej e përgjërohej Albina.
-Zgjidhe vetë atë problem sonte. Nesër në mëngjes të pres para korpusit të universitetit. Unë kam pronotuar taksinë për orën tetë dhe kam bërë gati gjithçka. Ti s’ka nevojë të marrësh asgjë me vete. Rregullohu, vishu bukur, se të tjerat i kam unë. Në orën dhjetë niset trageti nga porti i Durrësit. Natën e mirë!
-O, Bertiiii…-thirri vajza, por telefoni ishte mbyllur. U mbyt në lotë, që nuk merrej vesh në se ishin lotë trishtimi, mallëngjimi, gëzimi apo zemërimi. Mbeti në këmbë, pa lëvizur, duke vështruar telefonin. I vinte ta përplaste në tokë, sikur t’ia kishte celulari fajin, të cilin kishte kohë që e trajtonte si mikun më të afërt e më besnik. Mbylli sytë pak sekonta dhe mori vendimin. Le të ishte një aventurë. Aaventurat rinore gjithmonë i dukeshin të bukura. Do të shkonte pas të dashurit të saj në Romën e ëndërruar. Kur ta njihnin prindërit Bertin, me siguri do të ndiheshin të lumtur për fatin e vajzës. Djalë simpatik, universitar, nga një familje e mirë në mes të Tiranës. Pikërisht ai djalë, që do t’u hynte në zemër me ta parë, ia kishte bërë atë dhuratë të pamundur për ta.
Të nesërmen , fiks në orën tetë, Albina ishte te taksia. Berti u vonua pesë minuta dhe sa mbriti, pa thënë as mirëmëngjes, i tha Albinës:
-Hip shpejt në taksi, se nuk kemi kohë, u bëmë vonë.
I hapi Albinës derën e pasme, në krahun e kundërt të taksistit, futi një çantë të madhe në bagazh dhe mbylli me forcë derën nga krahu tjetër, pasi kishte zënë vend në sedilen pranë saj. Ajo i buzëqeshi dhe mbështeti kokën në supin e tij. Berti i afroi fytyrën te leshrat, filloi t’i nuhaste aromën e flokëve të krehur me merak dhe i puthi lehtë qafën e gjatë.
Diku, midis Durrësit dhe Tiranës, vetura ndali. Hapi derën me furi një tip muskuloz e me bebëza gri, që i lëvrinin sytë si mace e egër. Sa futi kokën brenda kabinës, ia përpiu fytyrën vajzës së panjohur me shikimin e një shpendi grabitqar. Vajzës i shkaktoi një ndjenjë frike dhe pasigurie. Pastaj Sygriu i uli sytë në cicat, që kishin ngritur fustanin. Nuk i krahasoi me mollët e këngëve popullore, por me vezët e patës. Teksa po ulej në sedile, e kaloi shikimin poshtë fustanit dhe për herë të parë fytyra e tij u duk e kënaqur, sikur thoshte: Sa të bukura i ka kupat e gjunjëve! Sa të bukura i ka këmbët! Albina u ngjesh pranë Bertit si një zogth i truar, përballë atij shpendit grabitqar, që ia behu papritur.
Diku, u kthyen në një servis veturash. Atje Albinës minutat i dukeshin orë. Atje mendonte vetëm për familjen. Tani kishte filluar t’i qartësohej në trurin e saj të ladhatuar nga debulesa e prindërve, si fëmija e parë e tyre, sa serioze ishte mosvënia në dijeni e familjes. Ndjente një boshllëk të thellë në tërë qënien e saj për këtë udhëtim. Tashmë surpriza i dukej sa realizimi i një ëndërre aq edhe një aventurë e marrosur. Hapi çantën, nxorri celularin dhe formoi numrin, por në çast Sygriu, që Albinës i pëlqente ta quante Syujku, iu drejtua me sytë e zgurdulluar: Lere telefonin! Nuk kemi kohë për biseda tani. Albina u tërhoq e tmerruar pranë Bertit…
Rrugës së mbetur deri në Durrës Berti dhe Syujku flisnin për uikendin e mrekullueshëm të çiftit Berti-Albina. Te trageti mbritën 10 minuta pas nisjes së tij. Berti u bë si i tërbuar, duke vështruar me shqetësim nga Albina. Ajo ndihej e prekur thellë në shpirt nga dështimi i surprizës, që ia kishte ndezur imagjinatën, Ama edhe e lehtësuar, se nuk do të bëhej mashtruese e prindërve. Pas një stepjeje ajo foli me zë të mekur, për të qetësuar të dashurin e saj:
-S’ka problem, mos u shqetësoni. Mirë u bë edhe për mua. Do të shkoj për festa te prindërit. Eshtë hera e parë që jam larguar nga shtëpia dhe më presin me padurim.
-Ç’thua, -u hodh Berti, – kushëriri e ka paguar tarifën si frëngu pulën.
-Mos u shqetësoni,- ndërhyri Syujku,- do ta gjejmë një zgjdhje. Do t’ju nis unë me ndonjë anije tjetër. Humbët një udhëtim luksoz, por do të shijoni të tjerat. Dhe kujdes në kthim, mos u vononi, t’ju lërë sërish trageti. Këto fjalë, plot siguri, sikur e rigjallëruan Albinën, por edhe e trishtuan. Ikjen e tragetit ajo e kishte quajtur një rastësi e dobishme, duke e mbledhur mëndjen top për t’u kthyer te prindërit.
Pas një ore, siç premtoi Syujku, Berti dhe Albina hipën në një anije mallrash. U futën poshtë në hambarin e ngarkesës dhe rrinin ngjeshur njëri pas tjetrit, si dy dashnorë të vërtetë të mbyllur në një kafaz metalik. Nuk kaloi as gjysmë ore dhe Albina filloi të ndjente dhimbje në lukth. Mbështeti kokë në gjoksin e Bertit, ku i dukej se gjente mbrojtje dhe siguri. Menjëherë u ndie më mirë. Mirëpo, nga qëndrimi skiç, iu trazua edhe më shumë. Pas pak filloi të ndihej aq keq, sa i dukej se nuk mund të jetonte më në atë gjëndje. Sado që bënte përpjekje të sforcuara të mos e jepte veten, t’i rezistonte torturës, për të mos e shqetësuar Bertin, nuk mund ta fshihte më sikletin në të cilin ndodhej. U dobësua aq shumë sa nuk kuptonte më se ku ishte. Thellë në vetëdijen e saj filluan të lëvrinin të shfytyruar Berti, mami, babi, motra, vëllai i vogël dhe mjedisi i shtëpisë, ku çdo gjë ishte e ngrohtë, e ëmbël dhe paqësore. Syujku, për të cilin kishte menduar se kishte mbetur në Durrës, filloi t’i binte lëngje, për ta qetësuar. Pas ndonjë ore humbi ndjenjat, pa kuptuar asgjë se çfarë ndodhte rreth saj. Kur erdhi në vete, vuri re se ishte zhytur në një pellg të vjellash dhe vreri të gjelbër…
Zbritën në Pulja, jo në Torino. Berti dhe Sygriu morën dy çantat dhe u nisën me nxitim. Albina, e kapur për dore nga Berti, me vështrim e vizitorit të parë të një planeti të panjohur, mezi lëvizte. I dukej sikur tërhiqte zvarrë kufomën e vet. U futën në ca rrugica dhe sosën në një shtëpi, tip vile dykatëshe, e rrethuar me pemë, në mes të një fushe, jashtë qytetit. Vajzës, pasi kishte dalë nga ai kazan tmerrues, sado e lodhur dhe e kapitur nga mendimet kontrakditore për vendimin e marrë pa dijenine e prindërve, iu gjallëruan disi ndjesitë e çasteve të lumtura që e prisnin në atë udhëtim të shumëpritur. Gjithçka në oborrin e mjedisin e asaj vile iu duk romantike. Por, sa u futën brenda, në një dhomë gjysmë të errët, Albinës iu tretën ndjesitë lumturuese. Berti, pa e njohur ende me mjediset e brendëshme të ndërtesës, i tha se do të shkonte tek puna e kushëririt dhe do të kthehej bashkë me të. Pastaj do të shkonin me makinë tek shtëpia e tij. Të nesërmen do të niseshin për në Romë. Albina ndihej e lodhur, e hutuar dhe nuk kuptonte asgjë nga sa ndodhte rreth saj. Kur u hap dera dhe pa siluetën e bustit të Bertit në dritën e derës, ajo thirri, me një pikëllim, që do ta kishte zili dhe Hekuba: O Bertiiiiii! Por ai s’iu përgjigj. Dera e mbyllur bllokoi fashën e dritës, që vërshoi nga jashtë dhe vajzës iu duk se u zhyt në terrin e varrit, që e kishte hapur me duart e veta. Ishte një dhimbje dhe trishtim i tillë, që as lotë nuk i prodhonin më sytë. Shoqëruesi sygri u ngërdhesh dhe i tha me qetësi: Mos u shqetëso. Tani do të jesh në shoqërinë time. Bashkë do të bëjmë punë të mira. Do të fitojmë shumë para. Vajza e vështroi si ajo ulkonja që i kanë rrëmbyer këlyshët e saj, ndërsa ai e vështroi me kënaqësinë e një ulkonje që ia ka rrëmbyer prenë rivales së vet. Mblodhi të gjitha fuqitë dhe u hodh te dera, duke kapur dorezën.
-Lere derën! Nuk hapet më ajo derë deri sa të vijë Berti, -tha me ton urdhëror Syujku.
Vajza e troshitur nga ai udhëtim i panjohur dhe e frikësuar deri në llahtari sytë gri të shoqëruesit të panjohur, mezi mbahej në këmbë. Për atë njeri ndiente një urrejtje që s’e kishte provuar kurrë. Kapi dorezën fort dhe tentoi ta hapte. Njeriu i fuqishëm e kapi nga krahët, e hodhi si një pulë të ngordhur në një divan të pistë dhe, duke nxjerrë para kërcënueshëm gishtin tregues, i tha: Tani e tutje je nën kujdestarinë time. Je nën urdhërat e mia. Do të bësh çfarë do të themë unë. Bertin harroje. Nuk e ke njohur kurrë. As ka ekzistuar ndonjë herë një farë Berti për ty. Ndryshe…
Studentes Albina iu errësua edhe më shumë bota para syve. Toka filloi t’i rrëshqiste nën vete. Ajo e kuptoi fundin e aventurës së saj dhe, që nga ai çast, filloi të mendonte pasojat e vendimmarrjes katastrofike pa u konsultuar me prindërit. Ai zjarr i ëmbël dashurie tashmë ishte kthyer në një llavë vullkani që po digjte e përpinte gjithë dëshirat e ëndërrat e saj. E shtrirë në atë divanin e pistë, e mbledhur kruspull kokë e këmbë, sikur krijonte një mburojë e një sipërfaqe sa më të vogël kontakti me atë mjedis të neveritshëm, e kuptoi se në atë botë të trazuar pafajsia dhe sinqeriteti nuk ishin më mburojë e një vajze tetëmbëdhjetëvjeçare. Me sy të çngjyrosur filloi të kujtonte njohjen me djalin e adhuruar prej saj. Por zemra nuk guxonte ta quante mashtrues dhe të pabesë. Gjithë mynxyrën e saj ajo e quante vepër të syujkut. Nuk kishte fuqi ta gjykonte mëndjelehtësinë e vet dhe pasojat në të ardhmen. E krahasoi veten me një mizë të zënë në rrjetën e një mirimange të madhe… Më në fund ajo e kuptoi se ishte kthyer në një mall të pastër të një tregu të pistë. Gjëja e parë që i erdhi ne mend ishte celulari. Për një çast mendoi se ai do të ishte varka e shpëtimit. Rrëmbeu çantën, që kishte mundur ta mbante pranë vetes, e hapi, kërkoi në të si shtaza hyrjen e folesë së prishur, por celulari nuk ekzistonte. Atëherë e lëshoi veten si ajo antilopa që bëhet pre e luanëve të uritur. Ia kishin hequr edhe urën lidhëse me të njohurit e vet edhe armën e vetme të mundëshme për mbrojtje.
Komentet