VOAL

VOAL

PROTESTË – Shkruajtur nga SOTIR GJIKA

March 26, 2018

Komentet

Sejfulla Malëshova më 29 mars ‘45: Faik Konica, Fan Noli dhe Fishta janë fytyrat më të mëdha të Shqipërisë në fushën e kulturës

KASTRIOT KOTONI

Sejfulla Malëshova nën pseudonimin Lame Kodra, lindi në vitin 1900, në Malëshovë të Përmetit. Në moshën 24-vjeçare shkroi në organe të ndryshme të shtypit, i njohur me emrin Lame Kodra.

Studioi në Fakultetin e Mjekësisë në Romë, ku edhe krijoi shoqërinë “Shpresa e Atdheut” dhe botoi një revistë me po të njëjtin emër si organ i kësaj shoqërie. Më 1924, ai bëhet sekretar i përgjithshëm i qeverisë Nolit. Me riardhjen e Zogut në pushtet, ikën drejt Moskës në cilësinë e anëtarit të delegacionit të Kominternit. Merr pjesë aktive në Luftën Nacional-Çlirimtare.

Pas lufte gjendet si kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë dhe merr përsipër organizimin e Kongresit të parë të Shkrimtarëve të Shqipërisë. Më pas merr funksionin e ministrit të Arsimit dhe për bindjet e tija politike burgoset dhe internohet në Ballsh dhe në Fier, plot 20 vjet. Vdes në vetmi, më 1971 në qytetin e Fierit, si internuar. Që nga koha kur hodhi hapat e para për të shprehur bindjet e tij, ai shkroi për anët sociale që e mundonin popullin shqiptar dhe u bë përçues i ideve të majta. Në qëndrimin patriotik të çështjes së atdheut në kohën e pushtimit fashist ai denoncoi truket e politikanëve shqiptarë, të cilët përballë interesave të atdheut vunë interesat e tyre personale dhe arritën të gjunjëzohen në bashkëpunimin me pushtuesit nazifashist të vendit. Në tematikën e autorit përfshihen edhe interesat e larta që kishte ai për artin dhe kulturën. Ai ishte përkthyes i Gëtes, Nekrasovit dhe shumë shkrimtarëve të tjerë të nivelit botëror.

PËRÇUES I SË MAJTËS

Sejfullai ishte një nga shkruesit e programit të “Shoqërisë Bashkimi” në numrin e parë të saj në 8 korrik të vitit 1924. Pika e parë në programin e saj ishte forcimi i propagandës për “Bashkimin” dhe rrënjosjen e ndjenjës kombëtare. Për të arritur një demokraci të vërtetë duhet luftë kundër shtresëzimeve të thella shoqërore. Pika e dytë është lufta në çdo rast kundër gjithë abuzimeve dhe akraballëkut. Pika e tretë e programit tonë është propaganda e gjerë dhe e fortë për reformën agrare.

Shpëtimi i Shtetit varet kryesisht prej përmirësimit të gjendjes ekonomike të popullit dhe jo prej ligjeve të mira, qetësisë shembullore, as prej administrimit të drejtë, të cilët janë vetëm mjete për të arritur qëllimin. Populli shqiptar është një popull bujk. Një pjesë e tij do të mund të shpëtojë nga mjerimi me anë të masave të brendshme të qeverisë për hyrjen e kapitalit, që kësisoj të mund të krijohen posibilitete për punë dhe burime fitimi. Por shumica e popullit do të mund të ikë nga zgjedha e shtetit nga kriza ekonomike me reforma agrare.

Më 1924, kur Vlora ziente në zjarrin e revolucionit, borgjezia shqiptare mbi varrin e Avni Rustemit u betua se do të zgjidhte, bashkë me të tjerat edhe çështjen agrare. Me këtë flamur në dorë ajo thërriti punëtorë dhe fshatarë, kundër bejlerëve dhe kundër imperializmit serb. Po kur erdhi puna që u përzu agjenti i serbëve Ahmet Zogu, borgjezia shqiptare mori vetë fuqinë në dorë dhe nuk i mbajti premtimet për të cilat u betuan në Vlorë. Borgjezia jonë e përçarë, e dobët u tremb nga revolucioni, kur erdhi koha për të marrë masa konkrete revolucionare. Ne nuk jemi për reforma agrare, po për revolucionin agrar, shkruan më 1 prill tek “Liria e Kombëtare” Lame Kodra.

PUSHTIMI I VENDIT

Në një artikull tjetër botuar në gazetën “Bashkimi” më 21 mars të vitit 1945 me titull “Logjika e Tradhtisë”, Sejfulla Malëshova shtjellon ndër të tjera këtë ide – “Kur shkeli Italia fashiste Shqipërinë dhe regjimin i Zogut mori fund, ata që sot janë përpara gjyqit të popullit u bënë miq të regjimit fashist, të Xhirove, Melolnëve, Jakomonëve, Parianëve, Dalmacove dhe armiq të tërbuar të Zogut dhe të regjimit të tij. Kur filloi të perëndonte ylli i Italisë fashiste, ata filluan të bëhen “anti-italianë të matur”, duke mbajtur natyrisht pozitat dhe kulltukët dhe duke vazhduar bashkëpunimin e tyre me okupatorin italian.

Disa organizuan çeta, që bënin një luftë demonstrative kundër ushtrisë italiane dhe një luftë efektive kundër lëvizjes çlirimtare në Shqipëri. Kur pastaj fashizmi italian theu qafën dhe ushtria gjermane shkeli Shqipërinë, ata që kishin qenë kuestorë, prefektë dhe ministra të Viktor Emanuelit të III u bënë miq të Hausdingut, të Von Sheigerit me shokë, miq të Komandës Gjermane, Gestapos dhe “armiq të tërbuar të italianëve”. Me fjalë të tjera ka qenë gjithnjë me ata që vijnë dhe “kundër” atyre që ikin, me ata që e shtypnin popullin “kundër” atyre që e kishin shtypur, po që nuk ishin më në gjendje të shtypnin. Të gjithë i mbajnë mend sofizmat dhe demagogjinë e poshtër të këtyre zotërinjve mbi ndryshimin në mes të okupacionit italian dhe të okupacionit gjerman në Shqipëri: sofizmat e poshtra mbi neutralitetin, indipendencën dhe mbi “gjermanin që nuk është okupator”.

Të gjithë i mbajnë mend klithmat e tyre histerike jo vetëm kundër italianëve fashist, por kundër edhe atyre italianëve që luftonin krah për krah me ne. Të gjithë e mbajnë mend se si bërtisnin këta zotërinj kundër Zogut, atëherë kur Zogu iku nga Shqipëria. Po të gjithë e dimë sot se po këta zotërinj u mblodhën të gjithë nën flamurin e Zogut dhe të “Legalitetit” më 1944, kur pas flamurit të Perandorisë fashiste kish rënë edhe flamuri i “Ballit Kombëtar”.

Vetë Midhat Frashëri u jep urdhra çetave të “Ballit Kombëtar” dhe organizatave të “Ballit” të nderojnë ala zogiste. Vetë Rexhep Mitrovica që kishte qenë 15 vjet në mërgim “kundër Zogut dhe ish kthyer me ushtrinë italiane për të shpëtuar Shqipërinë nga regjimi zogist bënte në prill 1944 apologjinë e këtij regjimi. Si shpjegohet, shkruan ndër të tjera Sejfulla Malëshova: Gjithë kjo inkoherencë? A ka një logjikë në këtë mes? Po; një logjikë. Është logjika që lidh regjimin e Zogut me okupacionin e Shqipërisë, logjika që lidh Italinë fashiste me Gjermaninë e Hitlerit, logjika që lidh të gjitha forcat reaksionare, të gjitha forcat antikombëtare dhe antipopullore. Është logjika e atyre që duan të sundojnë me çdo kusht mbi kurrizin e popullit. Është logjika e atyre që nuk mund të mbahen në fuqi pa ndihmën e të huajve, pa ndihmën e okupatorit, pa shkelur interesat e larta të popullit dhe të kombit të tyre. Është logjika e tradhtisë.

STILI I TRADHTISË

Në gazetën “Bashkimi” më 29 mars të vitit 1945, ndër të tjera Sejfulla Malëshova thekson: Ata që sot po i gjykon populli dhe shokët e tyre që do të kapë e do t’i gjykojë nesër, kanë qenë fashistë jo vetëm nga politika e tyre, nga parullat e dala nga arsenali i Goebblesit, po edhe nga metodat, nga stili i tyre. Ata kanë folur për indipendencë dhe neutralitet të Shqipërisë, në një kohë kur Shqipëria ishte fund e krye në mëshirën e okupatorit, kur të gjitha forcat politike ushtarake të qeverive kuislinge ishin nën urdhrat e komandës gjermane dhe Gestapos.

Ata kanë folur për ‘terror e ‘vëllavrasje’ nga ana e Lëvizjes Nacional-çlirimtare, në një kohë kur ata organizonin bashkë me okupatorin gjerman ofensiva ushtarake për të shtypur ushtrinë tonë heroike, në një kohë kur ata ngrinin terrorin në sistem, përgatisnin 4 shkurtin e 28 shkurtin, në një kohë kur gjithë politika e tyre ishte një politikë sistematike për të provokuar vëllavrasjen në Shqipëri. Provokacione që po i bëjnë kundër vendit tonë ca gazeta reaksionare të Greqisë janë tipike nga kjo anë. Në një kohë kur bandat reaksionare në Greqi po grabisin, po ndjekin, po masakrojnë për të dytën herë me metoda fashiste vëllezërit tanë përtej kufirit, çakejtë e Selanikut e të Korfuzit po çirren e po bërtasin për masakër, grabitje transferime nga Jugu në Veri që gjoja qeveria jonë bën në kurriz të “grekëve” të Shqipërisë. Këlyshët e reaksionit fashist e profashist, kudo qofshin, kanë të gjithë një qëllim të shtypin popullin e vendit të tyre dhe së bashku gjithë popujt e botës. Prandaj ata kanë edhe një fytyrë, një stil. Është stili i tradhtisë!

Një temë tjetër me interes paraqet koncepti i Sejfullait për çështjet e kulturës, ai është shprehur për qëndrimin që duhet të mbajnë intelektualët në një shtet demokratik, për lidhjet kulturore me gjithë botën demokratike e progresive. Për Sejfullain, artisti dhe poeti duhet të jenë, përpara çdo gjëje tjetër qytetarë të mirë të lidhur me jetën e popullit të tyre. Kjo është e domosdoshme për ta edhe si artistë, pse inspirimi dhe forca krijuese nuk mund të dalin vetëm nga rrethi i ngushtë i jetës individuale të artistit, por ky duhet pa reshtur t’i nxjerrë nga burimi i pasosur i realitetit të jashtëm dhe, në radhë të parë nga jeta e popullit.

Kam dëgjuar, psh., se në disa rrethe ka tendenca që Faik Konica dhe Fishta të fshihen fare nga defteri. Është e vërtetë se Faik Konica që më 1925 e tëhu ka përkrahur regjimin e Zogut dhe ka qenë në kampin e reaksionit. Është e vërtetë se Fishta ka qenë anëtar i Akademisë në kohën e okupacionit fashist. Po është e vërtetë dhe kjo që veprat e Faik Konicës dhe të Fishtës janë lidhur ngushtë me Rilindjen e Shqipërisë. Faik Konica, Fan Noli dhe Fishta janë fytyrat më të mëdha të Shqipërisë në fushën e kulturës. Bashkë me Kostandin Kristoforidhin dhe Naim Frashërin ata janë lëvronjësit e mëdhenj të gjuhës shqipe, janë ata që kanë ngritur gjuhën shqipe në dinjitetin e një gjuhe letrare. Ky është një kontribut i madh që kanë dhënë këta në jetën e popullit dhe kombit shqiptar, dhe këtë kontribut ne me të drejtë e quajmë pjesë e pandarë të trashëgimisë tonë nacionale, të pasurisë sonë kulturore.

POEZI E LAME KODRËS MË 1939

SI E DUA SHQIPËRINË
S’kam çiflig e s’kam pallate,
S ’kam dyqan me katër kate
Por e dua Shqipërinë
Për një stan në Trebeshinë,
Për një shkarpë e për një gur,
Për kasollen mi Selishte
Për dy ara në Zallishte,
Për një lopë e një gomar,
Për një Balo, një manar.
Unë e dua Shqipërinë
Si bari dhe si fshatar,
Unë e dua Shqipërinë
Për tërfilin mi lëndinë,
Për një vajzë gjeraqinë,
Dhe për ujët që buron
Nga një shkëmb e gurgullon
Nëpër lisat gjethe-shumë,
Edhe zbret përposh në lumë.
Unë e dua Shqipërinë
Për një lule trëndelinë.
Për një zok që fluturon,
Për bilbilin që këndon
N’ ato ferra e në ato hije
Këngë malli e dashurie.
Unë e dua Shqipërinë
Si poet i dhëmshëruar.
Unë e dua Shqipërinë
Që nga Korça në Vraninë,
Ku del bujku që me natë
Me parmëndë dhe me shatë,
Mbjell e korr me diell, me hënë
Dhe s’ka bukë për të ngrënë
Ku nallbani e samarxhiu,
Kërrusen ditë e kërrusen natë,
Që të hanë bukë thatë,
Ku hamalli nëpër skela
Ngarkon hekur e varela,
Këmbë-zbathur, bythë çjerrë
Punon vetë për të tjerë.
Unë e dua Shqipërinë
Që nga Shkupi e në Janinë,
Ku një popull derë-zi
Heq e vuan robëri,
Unë e dua Shqipërinë
Si poet i dhëmshëruar.
Unë e dua Shqipërinë
Si një revolucionar.

/Gazeta Panorama 

Më 12 shkurt 1861 lindi shkrimtarja dhe psikologia e shquar Lou von Salomé

VOAL- Viti 1861 shënoi një pikë kthese për Rusinë – dhe më gjerë. Reformat e Car Aleksandër II Romanov çuan, ndër të tjera, në çlirimin e miliona fshatarëve nga skllavëria shekullore, duke sjellë me vete pasoja shkatërruese që patën pasoja pozitive në të gjithë kontinentin evropian. Po atë vit, më 12 shkurt, në Shën Petersburg, lindi Lquar, një grua që, sikur e ndikuar nga energjia shpërthyese e kohës, do të transformonte jetën e shumë prej intelektualëve më të mëdhenj të shekullit.

Vajza e vetme e gjashtë fëmijëve të Gustavit, një gjeneral në ushtrinë Romanov, dhe Louise Wilm, vajzës së një industrialisti, që në moshë të vogël, Lou shfaqi një inteligjencë të gjallë dhe të ndjeshme dhe një personalitet të pavarur dhe rebel. Ajo e përfundoi arsimin e saj të hershëm privatisht, pjesërisht falë mësimeve të Hendrik Gillot, një pastor luteran. Në moshën 19 vjeç, vajza kishte fituar tashmë një arsim të gjerë humanist dhe kishte filluar të shkruante, duke hedhur themelet për një karrierë të ardhshme si shkrimtare. E bukur, e rafinuar dhe e sigurt në vetvete, Lou rrezatonte një sharm diskret dhe intensiv që e magjepsi Hendrikun, aq sa ai u dashurua marrëzisht me të, duke ia prishur martesën për t’i propozuar martesë. Por ajo nuk ia ktheu ndjenjat dhe e refuzoi. Për arsye shëndetësore (vuante nga tuberkulozi), ajo u largua për në Zyrih në shtator 1880, por duke e gjetur të pasuksesshme, dy vjet më vonë zgjodhi Italinë e ngrohtë, duke u vendosur në Romë.

Dhe ishte këtu që figura e Lou von Salomé filloi të shpalosej në aspektet e saj të shumta dhe komplekse, të cilat do ta shihnin atë, herë pas here, si një shkrimtare të talentuar; një psikoanaliste dhe një eksperte të mprehtë të psikologjisë mashkullore; një frymëzim për mendjet e mëdha; një dashnore të dëlirë dhe pa paragjykime deri në moshën 36 vjeç; Pasionante, erotike, por edhe një eksperimentuese e ftohtë e impulseve seksuale, më vonë; një femme fatale për të gjithë burrat që bien në kontakt me të. Shkrimtari dhe filozofi gjerman Paul Rée e takon atë nëpërmjet mikeshës së tyre të përbashkët Malwida von Meysenbug: të dy zbulojnë një ndjenjë të përbashkët që i shtyn të jetojnë së bashku. Ndërsa për të kjo bazohet thjesht në interesin intelektual, për të është fillimi i një dashurie serioze. Si Meysenbug ashtu edhe vetë Rée, miq të Friedrich Nietzsche-s, në korrespondencën e tyre flasin për Lou-në me filozofin e madh gjerman dhe për ngjashmërinë e pikëpamjeve të tyre filozofike përkatëse, duke e ftuar atë në Romë. Nietzsche është i intriguar dhe vendos ta pranojë ftesën.

Kur të dy takohen, ai – i goditur dhe i frymëzuar nga vizioni – raporton se thërret: “Nga cilët yje jemi bashkuar këtu?” Përfshirja intensive dhe e ndërsjellë që Lou dhe Paul kishin përjetuar tashmë shtrihet tek Friedrich, i cili bashkohet me ta në rregullimet e tyre të jetesës, duke rënë viktimë e sharmit të saj. I dashuruar pa shpresë, Nietzsche vazhdimisht i kërkon asaj të martohet me të, por më kot. Të dy mendimtarët, si të gjithë burrat që Lou takon në jetën e saj, e keqinterpretojnë tërheqjen e saj të thjeshtë intelektuale si kënaqësi sentimentale. Dy vjet më vonë, Nietzsche, i dekurajuar, e braktis partneritetin dhe, i zhytur në dhimbjen e dashurisë, por edhe i forcuar nga mësimet e nxjerra nga ajo përvojë, fillon të shkruajë veprën e tij më ikonike, “Kështu foli Zarathustra”.

Lou dhe Pauli vazhdojnë bashkëjetesën e tyre të ndërlikuar për tre vjet të tjerë, gjatë të cilëve ajo vazhdon të pretendojë viktima pothuajse pa e ditur: psikologu dhe filozofi gjerman Hermann Ebbinghaus, një pararendës i “psikologjisë eksperimentale”, i propozon asaj; sociologu gjerman Ferdinand Tönnies, themelues dhe president i Shoqërisë Sociologjike Gjermane, e ndoqi pa mëshirë. Në vitin 1886, ajo takoi orientalistin gjerman Friedrich Carl Andreas, burrin i cili, pas një tentative vetëvrasjeje për hir të saj, e bindi të martohej me të. Ajo ishte 26 vjeç, ai ishte 41 vjeç, por do të ishte një bashkim thjesht platonik, pasi Lou nuk ndjente tërheqje erotike ndaj burrit të saj. Të dy nuk do të ndaheshin kurrë, megjithëse ajo vazhdoi të jetonte jetën e saj emocionale dhe seksuale lirisht.

Në vitin 1889, në Berlin u themelua Freie Bühne, një shoqatë artistike që mbështeste teatrin avangardë pa kufizime dhe censurë. Lou von Salomé, i cili u bashkua me entuziazëm, takoi, ndër të tjerë, shkrimtarin natyralist dhe fituesin e ardhshëm të Çmimit Nobel për Letërsi, Gerhart Hauptmann, i cili u bë admiruesi i saj i zjarrtë dhe që më vonë do të merrte frymëzim prej saj për dramën e tij autobiografike “Shpirtra të Vetmuar”, botuar në vitin 1891. Dy vjet më vonë, ajo takoi Friedreich Pineles, një mjek vjenez, me të cilin filloi një lidhje me ndërprerje dhe me të cilin më në fund iu dha seksualisht për herë të parë. Të dy u ndanë përfundimisht pasi ajo abortoi aksidentalisht pasi mbeti shtatzënë në vitin 1902.

Poeti dhe dramaturgu austriak i ri, por tashmë premtues, Rainer Maria Rilke, të cilin ai e takoi me pushime në Wolfratshausen në vitin 1897, gjatë një ndërprerjeje të përkohshme në marrëdhënien e tij me Pineles, gjithashtu gëzoi favorin e saj, përpara se të braktisej katër vjet më vonë. Gjithashtu, në vazhdën e pasionit emocional dhe bashkimit intim shpirtëror që e lidhi atë me Lou-në, dhe që do të vazhdonte në vitet në vijim, Rilke shkroi “Fletoret e Malte Laurids Brigge” dhe “Elegjitë e Duino-s”. Ndërkohë, në vitin 1901, Paul Rèe, i cili nuk e kishte parë atë për pesë vjet, u gjet i mbytur në lumin Inn në Zvicër, ndoshta – thuhej – i përbërë nga vetëvrasje për dashurinë e saj. Në vitin 1904, dramaturgu Frank Wedekind botoi “Lulu”, një tragjedi e famshme e përbërë nga “Shpirti i Tokës” dhe “Kutia e Pandorës”, në të cilën protagonistja shfaqet si një femme fatale; Për shumë njerëz, personazhi “Lulù” nuk është askush tjetër përveç Lou Salome, e lindur në imagjinatën e autores pas një refuzimi të pamëshirshëm të propozimeve të tij në një miqësi të pamëshirshme që kulmoi me një ndërhyrje të fshehtë në dhomën e saj të hotelit.

Një studente e apasionuar pas psikologjisë gjatë gjithë jetës, zbulimi i teorive të Sigmund Freud ishte një zbulesë e vërtetë: në vitin 1911, pasi mori pjesë në Kongresin e Tretë Psikoanalitik në Weimar, ajo iu bashkua grupit të punës të mjeshtrit të madh, duke kontribuar gjithashtu në revistën e tij “Imago” me shkrime dhe poema mbi seksualitetin. Dhe madje edhe Freud i madh u mahnit nga Lou: “Ata që ishin më afër saj u impresionuan më shumë nga pastërtia dhe harmonia e qenies së saj dhe u mahnitën se si çdo dobësi femërore, dhe ndoshta edhe shumica e dobësive njerëzore, mbeti e huaj për të, ose ishte kapërcyer prej saj gjatë jetës së saj.” Kështu shkroi Ati i Psikoanalizës, pasi e kishte njohur thellë në një marrëdhënie që ka të ngjarë të evoluonte përtej miqësisë. Të dy vazhduan të shkëmbenin letra të përzemërta në vitet që pasuan.

Gjithashtu brenda Shoqërisë Psikoanalitike, në vitin 1912, ajo takoi Viktor Tausk, një psikiatër dhe psikoanalist sllovak, me të cilin filloi një marrëdhënie romantike që do të ngjallte armiqësi të fortë nga ana e Freudit. Tausk kreu vetëvrasje në vitin 1919, në moshën vetëm 40 vjeç, për një sërë arsyesh komplekse, përfshirë disa sentimentale. Duke iu afruar të gjashtëdhjetave, jeta e trazuar dashurore e Lou-së më në fund gjeti pak paqe: me bashkëshortin e saj Andreas në krah, ajo iu përkushtua profesionit të saj si psikoanaliste deri në vitin 1937, vitin e vdekjes së saj në shtëpinë e saj në Göttingen më 5 shkurt, në moshën 76 vjeç. Kështu përfundon jeta e jashtëzakonshme e një gruaje e cila, larg të qenit – siç mund të duket – sipërfaqësore dhe e qetë, përfaqësonte për mendjet më të ndriçuara të fundit të shekullit të nëntëmbëdhjetë një far edhe më ndriçues, një shpërndarëse të papërmbajtshme mësimesh jete. Një feministe “ante litteram”, si dhe një nënë, shoqe e besuar dhe e dashur e aftë për ndjenjat më fisnike, e ndjeshme vetëm ndaj sharmit të inteligjencës, ajo ishte në gjendje të depërtonte në shpirtrat më të thellë të burrave me të cilët shoqërohej, duke i drejtuar ndjeshmëritë e tyre drejt shprehjeve më të larta intelektuale dhe artistike. Autore veprash letrare dhe esesh shkencore, e njohur edhe si Lou Andreas-Salomé, (Frojdi ende shkruan për të: “…personaliteti i saj mbeti në hije. Ishte jashtëzakonisht modeste dhe diskrete. Nuk fliste kurrë për prodhimin e saj poetik dhe letrar. E dinte qartë se ku gjenden vlerat autentike të jetës…”), citojmë këtu biografitë e Nietzsche-s (1894) dhe Rainer Maria Rilke-s (1928), si dhe antologjinë “Erotic Matter” që mbledh shumë artikuj mbi seksualitetin femëror./Elida Bupapaj

SYTHI I PAFAJSHËM I NJË DASHURIE- Nga LULZIM LOGU

Rreth librit ‘’Gravurë me ngjyrat e kohës’’ Ajne Ibërhysaj/Onufri, Poezi
E dashuruar në çdo çast me natyrën, e shkrirë trajtash dhe ngjyrash në metamorfozën e pandalshme të ndjenjave , mbërthyer në kurorën plot dritëhije të shpresës që nuk venitet, në rrethqarkullimin e vrullshëm jetësor, poetja Ajne Ibërhysaj ka zgjedhur dhe shpallur në librin e ri moton dhe shpirtin e saj të lirë, duke pohuar me guxim dhe çiltërsi për veten dhe lexuesin në një dialog të mrekullueshëm përmes vargjesh,sa të forta, aq dhe thellësisht delikate:
Unë jam grua
Mposhtem me dashuri
Më ndjej në gjakun tënd
Shpirti thyhet në shpirtin e pafajshëm…
Këto vargje janë një shpërthim i fuqishëm identiteti dhe vetëdijeje femërore. Që në titullin “Unë jam grua!” ndjehet krenaria, forca dhe sfida ndaj një bote që shpesh e ka vënë gruan në hije.Poetja e paraqet gruan si qenie e ndjeshme dhe e thellë shpirtërisht ,“Shpirti thyhet në sytë e pafajshëm” tregon brishtësinë, por edhe pastërtinë e saj. Burim dashurie dhe sakrifice ajo “mposhtet me dashuri”, ndien në
gjakun e tjetrit, jeton përtej vetes.
Forcë mbrojtëse dhe morale “engjëlli mbrojtës” sugjeron rolin e saj si shtyllë e familjes dhe shpirtit.Zë kundër hipokrizisë , heshtja e saj është “meteor i zjarrtë”, ndërsa zëri i saj “vret moralin hipokrit”; pra, ajo nuk është e nënshtruar, por e vetëdijshme dhe sfiduese. Në fund, vargjet marrin ton më të drejtpërdrejtë dhe rebelues, gruaja kërkon të mos trajtohet si e dobët (“Mos ma vrit dhimbjen”), por si qenie me dinjitet e mendim të pavarur.
Mesazhi kryesor është i qartë:
Gruaja nuk është vetëm ndjenjë dhe sakrificë, por edhe forcë, ndërgjegje dhe qëndresë.Poema ka një ton emocional, por edhe protestues, një përzierje mes dashurisë dhe revoltës.Në tërësi, është një himn për identitetin dhe fuqinë e gruas. Gravura si teknikë e gdhendjes në art mbi sipërfaqe prej druri, guri apo metali në librin e Ibërhysajt nënkupton përjetimet e skalitura nga koha në sipërfaqen e shpirtit të saj, ndërkohë që kujtimet përbëjnë muret e kujtesës fine ku çdo varg gdhend ngjarje dhe imazhe, të cilat padyshim shenjojnë horizontin e larmishëm jetësor dhe jo vetëm:
Është fryma e shpirtit
Që i jep zë vargut
Malli është etje
Mban gjallë frymën time…

Nëpër valët e saj të trazuara të jetës imazhet e shtrenjta dhe të paharruara janë themelet e forta, ndërkohë që përjetimet shpirtërore janë pjesa e tejdukshme, pasqyra ku shihet bota dhe qenja në raportin e tyre ekzistencialist, dritaret prej xhami të brishtë, ku shpesh poetja qan bashkë me lotët e saj, buzëqesh me ngjyrat dhe trishtohet me ardhje ikjet e çuditshme të më të dashurve si baba, nëna, motra, por dhe hiri akoma i ngrohtë i një dashurie të çuditshme, gacat e së cilës akoma djegin ndonjëherë dhe feksin si yje në qiellin e saj të mbrëmjes:

Shpirti nuk bëzan
Ç’rëndësi ka bregu i pikëllimit
Sytë e ylberit të humbur
Pas shiut në kodër të diellit
Shikime memece
Të ngrira në dritaren e pritjes…
Poetja ka një botë interesante tematike të vargjeve të saj, nerv të veçantë poetik dhe kërkim të vazhdueshëm shpirtëror kah vetja dhe dukuritë sociale, intuitë befasuese dhe muzikalitet të ëmbël, i cili si fond muzikor të përcjell gjatë leximit të librit të tij, sinqeritet të admirueshëm ndjenjash të cilat krijojnë një urë të mrekullueshme mes vetes dhe lexuesit dhe e bëjnë leximin e librit me një frymë dhe të shoqëruar
me ndjenjën e rikthimit përsëri në hullitë e tij poetike, që vertet të bëjnë një me qasjen dhe dedikimin shpirtëror të saj:
Ndaj,
Përqafo hijet e hapave të frymës së fundit
Unë jam aty me ty
Me frymën e poezisë..

Në kaleidoskopin marrëmëndës të “ Gravurë me ngjyrat e kohës’’ Ajne Ibërhysaj ndërton hap pas hapi, varg pas vargu dilemën e saj, tonën dhe të atdheut të shkrirë në lirikën e imtë, të butë, të dhimbshme , por sa mbresëlënëse, në dedikimet mbi portretet e dashur dhe rrugën e jetës, sikurse sjell tone të forta dhe dinjitoze të qendresës ndaj boshllëkut, mungesave shpirtërore dhe zhgënjimeve personale në nivel të së shkuarës dhe pasigurisë të së ardhmes të saj dhe vendit ku jeton, duke e marrë lexuesin përdore në udhëtimin e bukur dhe të vertetë poetik, pa klishe dhe retushime:

Rrugët e jetës
Baladë dhimbjesh ndryrë në shpirt
Teatër ku secila pjesë e trupit vetëvritet
Në Itakën e syve të tu të përhumbur…
Poezia e Ibërhysajt dallon thelbësisht nga poetet e brezit të saj, poezi e ndjesisë direkte dhe pasqyrë delikate e ndjenjës, sinqeritet të adhurueshëm shpirtëror, frymë të ngrohtë metaforike, simbolikë të qëlluar dhe mesazh prekës. Poezi e kuruar në detaje, ngrehinë e bukur kah dielli e cila fare pak të lë dorë për të ndërhyrë dhe nevojë për të rregulluar diçka në arkitekturën dhe pamjen e saj të qënësishme.
Figuracion modern, pasqyrim jetës aktive dhe të përkushtuar të poetes me shikim nga e ardhmja, me vlera të përformancës njerëzore dhe profesionale të një femre të emancipuar që gjithmonë ngrihet me kurajo mbi detajet dhe trishtimet e kohës për të qënë e patjetërsueshme në identitetin dhe personalitetin e saj të gdhendur si gravure tejet e pranueshme dhe të admirueshme të kohës:
Shpirti im nuk hesht
Era, vello që luan me sytë e mi
Në sytë e mi
Mund të shkruash vargje…
11 Shkurt 2026

Arkivi i Voal.ch Si At Gjergj Fishta ka marrë në mbrojtje Xhaminë e Lezhës – “Edhe un frati tham t’vërtetën/ me myslimanët e baj fli veten / Varem n’krab; lidhem n’vargoj/ E Shqipënin un’ nuk e l’shoj”

Thuhet se At Gjergj Fishta, në një situatë kaosi, e ka marrë në mbrojtje xhaminë e Lezhës.

.

Me t’u errësuar, At Gjergj Fishta shkon tek xhamia, kur të indoktrinuarit shkuan për ta djegur.

.

At Gjergj Fishta u flet në emër, dhe ata të çuditur i thonë: “Si mor At, ti edhe prift edhe hoxhë?”

.

At Fishta iu përgjigjet thjeshtë: “Jo, unë jam prift, por meqë Hoxha kishte ca punë në Shkodër, me tha mua me e ruejtë se edhe kjo është shpia e Zotit për shqiptarët”!

.

“Edhe un frati tham t’vërtetën/ me myslimanët e baj fli veten / Varem n’krab; lidhem n’vargoj/ E Shqipënin un’ nuk e l’shoj”

(“Lahuta e Malcisë”)

“Kur e takonim në burgun e Burrelit, ne katër fëmijët dhe nëna, Et’hemi na kërkonte të heshtnim”- Dëshmia e rrallë e vëllait të dramaturgut të famshëm

Nga LEDIA LLESHI/ “Kam le n’Elbasan më 8 mars 1902. Im at Emin Haxhiademi, aktiviteti patriotik, i të cilit fillon qysh më 1877 domethënë përpara Kongresit të Prizrenit, njihet si bashkëpunëtor i ngushtë e Kristoforidhit, dhe i dyti patriot mbas atij në vjetërsi në këtë qytet”. Kështu e nis jetëshkrimin e tij Et’hem Haxhiademi, dramaturgu i parë shqiptar, duke treguar fillimet e jetës së furishme, por gjithashtu edhe përcaktuese për veprën e mëvonshme. Teksa takon familjarët e mbetur të familjes Haxhiademi, një foto e njeriut që la gjurmë në letërsinë shqiptare të tërheq vëmendjen.

 

Veshja europiane, qëndrimi stoik dhe sidomos shikimi i tij janë edhe elementët që e dallojnë si një njeri që do të sillte shumë, por do të merrte aq pak nga jeta kryeneçe. Me ndrojtje, vëllai i tij Selaudini, kujton ato pak çaste që ka kaluar me të duke sjellë ndërmend edhe periudhën e zymtë të burgosjes, e cila i shënoi edhe vdekjen në moshën 63 vjeçare.

Sipas dëshmitarëve dhe burimeve zyrtare të atëhershëm, vdekja e tij ishte pasojë e një ataku, por sa e vërtetë ishte kjo për vetë natyrën e diktaturës, kur njerëzit zhdukeshin shumë thjeshtë, një gjë e tillë nuk u konfirmua asnjëherë, duke e lënë enigmë vdekjen e të nëpërkëmburit Et’hem Haxhiademi.

Fëmijëria dhe jeta

Fëmijëria do të vendoste gjithçka për të ardhmen e tij, të ndritur dhe të hidhur njëkohësisht. Këtë gjë e ka konfirmuar edhe vetë Et’hemi, në dorëshkrimin dërguar Lasgush Poradecit, të titulluar; “Shënime mbi jetën time”. Nxënës i parë në ‘Normalen’ e sapo hapur, ai kujton librat e parë shqip të lexuara, i privilegjuar nga i ati, i cili përdorte të gjitha revistat dhe gazetat e kohës në gjuhën shqipe.

Et’hemi duke qenë bir i një atdhetari të shquar dhe një prej themeltarëve të ‘Normales’ do të ishte i pari i regjistruar në këtë shkollë. “Prej tim eti kam mësue gjuhën shqipe” – shprehet ai- qysh përpara shpalljes së Hyrrietit, duke qenë edhe nxënës i parë i shkollës shqipe në Elbasan më 1908”. Ekzistenca e një telegrami të dërguar nga i madhi Faik Konica vërteton edhe këtë fakt historik, por që nuk u firmos asnjëherë nga regjimi në fuqi.

Në vitin 1919 fillon studimet në Leçe të Italisë në gjimnaz, por koha e provimeve do të ishte një moment i disfavorshëm për të, kur shqiptarët ndiqeshin nga italianët për shkak të Luftës së Vlorës. Por Et’hemi arriti ti rezistojë presionit, duke qenë i vetmi që mundi të kalojë klasën nga shumë shqiptarë të tjerë. Më pas e priste Austria, ku do të vazhdonte përfundimin e gjimnazit, dhe të veprave të tragjedianëve grekë në latinisht dhe gjermanisht.

Më 1924 ai ndodhej në qytetin e Berlinit, duke vazhduar studimet universitare për juridik, siç shprehet ai kundra dëshirës vet, por me dëshirën e prindërve. Poligloti elbasanas nuk harroi në asnjë moment literaturën në gjuhë të ndryshme, sidomos periudhën antike. Gjatë qëndrimit në kryeqytetin gjerman, tragjedia, u bë pjesë e jetës së tij papritmas. Vajza me të cilën ishte dashuruar vdiq, dhe kjo shënoi një goditje për Et’hemin e ri, i cili në vitin 1927 u kthye në Shqipëri dhe një vit më vonë, u emërua nënprefekt i Lushnjes.

Në vitin 1933, ai ndodhej në Gjirokastër si kryesekretar i prefekturës. Në këtë kohë ishte mbretëria e Zogut që udhëhiqte vendin dhe vetë Mbreti për Et’hemin kishte konsiderata për pregatitjen e tij. Do të ishte pikërisht kjo kohë, pavarësisht se Et’hemi nuk u përzije kurrë me politikën, që do të vendoste edhe fatin e tij. Në kohën e pushtimit italian, Haxhiademi, qëndroi indiferent, duke mos marrë pjesë në asnjë lëvizje, por në mendimet e tij, lëvizja balliste u quajt e drejtë.

Do të ishte qëndrimi i tij gjatë pushtimit fashist, që vendosi edhe burgosjen e tij, në burgun e Burrelit gjatë diktaturës komuniste dhe që i shkaktoi aq probleme familjes. Vdekja e papritur, u përcaktua si një atak në zemër, kur Haxhademi nuk kishte pasur vuajtje të tilla. Pikërisht këtu lindët edhe dyshimet për një vrasje të mundshme të tij, por sipas familjarëve, kjo nuk u vërtetua kurrë.

Tragjeditë

Disa libra të vjetër dhe disa gazeta të kohës, do t’i jepnin Et’hemit ushqimin e gjuhës shqipe. “Ato ishin të varfra -shprehet Et’hemi në korrespondencën e tij, – por për ne ishin shumë të pasura dhe babai i mbante në një odë të posaçme, ku unë i lexoja fshehurazi”. Ndoshta këtu lindi dhe dashuria për librin dhe sidomos për dramën, për të cilën Et’hemi, në vogëli lexoi shumë pak, por kjo u shënua thellë në shpirtin e tij duke shkruar kështu edhe të ardhmen.

Drama e përkthyer nga turqishtja “Besa”, e të madhit Sami Frashëri, do të ishte edhe ushqimi i parë me dramën në shqip, dhe me dramën në përgjithësi. Duke treguar për dramën “Besa”, ai shprehet se rreshtat e saj, emocionet, ishin të mëdha, kështu që u mbyll për ta mbaruar në odën që ishte edhe streha e librave. Përshtypjet për këtë dramë do të ishin të tilla, saqë Et’hemi në moshën 14 vjeçare vendosi të shkruajë edhe dramën e parë të tij.

“Një ditë u ngula në nji tryezë dhe fillova të shkruaj një dramë natyrisht me subjekt kombëtar, siç ishte koha. Rrija pra me ditë me radhë nganjëherë linja edhe shkollën pa e frekuentue. Kur më pyetshin njerëzit e shpisë, çfarë baj, nuk i dëfteja. Në fund mas nja dy muajsh e sosa dramën dhe ia tregoj tim eti, i aftë me e gjykue”. Por i ati hijerëndë dhe shumë i vendosur, nuk e pranon idenë se djali i tij mund të shkruaj një zhanër kaq të vështirë dhe i thotë se kjo është për të qeshur dhe meriton të digjet.

Duke iu bindur babait të tij, Et’hemi vendosi ta digjte atë dramë, por jo dëshirën për të shkruar vepra dramatike. Ndërsa studionte në gjimnazin e Leçes, lexoi “Bukolikët” e Virgjilit, vepër të cilën vendosi ta përkthente kur të mësonte mirë latinishten. Dhe me të vërtetë vendosmëria e tij nuk kishte fund. Pas tre vitesh Haxhademi i përgatitur tashmë përktheu “Bukolikët” nga versioni origjinal në hekzametri, gjë që nuk e kishin bërë deri atëherë, asnjë nga shkrimtarët e njohur.

Këtu nuk mungojnë vlerësimet për të, pasi për kohën, asnjë vepër latinisht nuk kishte ardhur në shqip dhe sidomos asnjë shkrimtarë nuk kishte mundur të përdorte hekzametrin. Në kohën e studimeve të larta në Berlin, Et’hemi me dashurinë e madhe për legjendat antike, arriti të trajtoj veprën e tij të parë tragjedi “Uliksi”, e cila me plot gojën ishte një frymë e Eskilit, pas mijëra vjetësh. Tragjeditë kishin në dorë, zemrën e Haxhiademit të ri dhe mund të luanin më të.

Në dorëshkrimin e tij, ai rëndit edhe shkrimtarët e zemrës, sidomos ato antikë, por nuk harron të vlerësojë kolosët si Shekspiri. Vepra e ardhshme do të ishte pikërisht një nga personazhet stoikë të tragjedisë së madhe greke, ”Akili”. Më pas do të vazhdonte me tragjedi të tjera, si “Aleksandri”, “Pirroja”, “Skëndërbeu”, të cilat duke ndjekur ritmikën dhe tisin e mjegullt të tragjedisë greke, e sollën atë në ditët tona dhe sidomos nën petkun shqiptar.

Korrespondenca letrare me Lasgushin

Haxhiademi: “Tragjedia fryma ime e të jetuarit”

Lasgushi në korrespondencën e radhës i kishte kërkuar Haxhiademit vepra të tij, dhe ky me kënaqësi i kishte nisur disa nga rreshtat e shumtë që nuk panë dritën e botimit. Jeta plot vuajtje dhe një tragjedi personale e ardhur me vdekjen e personit të dashur në Gjermani, bëri që Et’hemi të shkruante, jo vetëm tragjedi, por edhe elegji, që e renditën atë si një poet elegjiak. Një elegji nën titullit; “Galates”, sjellë edhe dhimbjen e poetin për dashurinë e tij të humbur, për vajzën e dashur.

Ishte në Shqipëri tashmë dhe i këndonte në gjuhën e tragjedive të famshme greke. “Nimfat e Shkumbinit”, ishte dhe vepra që solli antikitetin në lumin letrar shqiptar. Nimfat e bukura vazhdonin të laheshin në ujin e lumit përgjatë viseve shqiptare dhe gjahtarët duke mos kuptuar vlerën e këngës së tyre, i “rrëmbejnë”. A nuk është kjo një ndodhje shqiptare”?- vazhdon letrën drejtuar Poradecit, nga emri i harruar i tragjedisë shqiptare, Et’hem Haxhiademi.

Por edhe nëna si një portret gjithmonë i dashur dhe i dhembshur vjen në vargjet elegjiake të shkrimtarit në vdekjen e saj. “Nata e Zezë” do të ishte edhe vajtim për nënën e tij, që Haxhiademi e përcakton si njeriun që ka dashur më shumë në këtë botë. Edhe një odë për Naim Frashërin, nuk mungoi në veprimtarinë letrare e cila do të shënonte jetën e tij.

“Përshkurtazi si mbas porosisë tande në dhjetë faqe, kjo asht jeta ime artistike. Në letrën që më dërgoje më tepër i epje rëndësi poezive lirike. Por tek mua rëndësia më e madhe asht te tragjedit”, – e mbyll letrën tragjediani që guxoi të sfidojë të mëdhenjtë e antikitetit dhe që gjatë gjithë jetës, nuk harroi pasionin për tragjedinë, gjë për të cilën siç e thotë dhe vetë në korrespondencat dhe kujtimet e tij; ishte gatuar.

Dëshmia e Selaudin Haxhiademit, për ato pak momente me vëllain e burgosur

Ishte pikërisht Selaudini, që me natyrën e tij të heshtur dhe fjalëpakë, e cilëson vëllain e tij duke e mbrojtur nga shtrembërimet dhe nga vlerësimet në dukje. Sipas tij shumë nga veprat janë zhdukur nga ziliqarët dhe shpesh fati i tij u vulos nga dashakeqët. “I madhi mbetet i madh, dhe nuk mund të jetë një favor vlerësimi i tij – vazhdon ai, – nuk i duam vlerësimet në dukje. Në të paktat momente që e njoha tim vëlla, kuptova se ishte një njeri që nuk kishte menduar të përfitonte, apo t’i shpëtonte situatave.

Kur e takonim në burgun e Burrelit, katër fëmijët dhe nëna, ai kërkonte të heshtnim, që mos të shqetësoheshim për të dhe sidomos mos t’i shkruanim asgjë, pasi korrespondenca nuk i binte kurrë në duar. I vetmi moment, që i kujtohet bashkëvuajtësve të tij në Burrel, ka qenë dita e vdekjes së Fan Nolit”.

Sipas tij, Noli duhet të ishte më i madh se 83 vjeç, pasi nuk mund të shugurohej prift në moshën 23 vjeçare. Vetë monizmi duke e burgosur, arriti të shfrytëzojë përkthimin e tij, për të cilin ishte i dhënë më shumë se askush tjetër, sidomos përsa i përket veprave antike. Shumë nga përkthimet e tij gjatë burgut, ose kanë marrë emër tjetër, ose nuk janë botuar nga diktatura moniste.

Duke studiuar në vendet perëndimore, Haxhademi ishte një njeri me njohuri të gjëra dhe përsa i përket politikës, por nuk u përfshi në asnjë nga lëvizjet, duke qëndruar larg luftës dhe sidomos larg lëvizjes komuniste. Kjo e dëmtoi shumë, duke sjellë burgun dhe vdekjen. Nuk ka marrë dekorata, nuk është njohur, ndërsa vëllai i tij që u nda nga jeta shumë shpejt, po nga një atak në zemër.

Emini duke ndjekur rrugën e të vëllait, u bë edhe kryetar bashkie në kohën e demokracisë. I madh, por i harruar është përcaktuar nga kritikë letrarë emri i Et’hem Haxhiademit, një nga figurat e pastra, me vlera të paimagjinueshme, pasi guxoi të lëvrojë tragjedinë, por ishte më fatkeq ndër shkrimtarët shqiptar, duke pësuar fatin tragjik, vdekje në burg./ Memorie.al

Flamur në stuhi (Kushtuar Zahir Pajaziti — hero i kombit dhe themelues i celulës së parë të UÇK-së.)- Nga ARIF EJUPI

Flamur në stuhi
(Kushtuar Zahir Pajaziti — hero i kombit dhe themelues i celulës së parë të
UÇK-së.)
Zemrën e kishe gurëthyes
që dhembjen bluan,
ujëvarë që plagën pastron.
Frikën e pate vrarë në djep,
guximin ua pate rrëmbyer luanëve.
Syrin e kishe dylbi,
dorën shigjetë, që shponte tej për tej.
Vdekjen e bëre me armë në duar, duke zanuar
ata që mendonin se Kosovën e shndërruan në
Shumadi.
Shumëherë pate thënë:
“ Në vdeksha pa marrë hak për ty, Kosovë,
mos qofsha biri yt. ”
Betimi kurrë nuk të mbeti peng.
Ishe e mbete kandil mbi Gallap e Pashtrik!
ARIF EJUPI
Gjenevë, 4 shkurt 2026
KLITHMË
(Vargje proteste ndaj lojës së pafund me votuesit)
Partiakë e kuvendarë,
mos u qofshim falë,
nga zgjedhjet në zgjedhje
na çuat —
për ne fare s’menduat.
Na iku moti
kot së koti,
u dënoftë Zoti!
Do vijë dita
që Donald Trump
t’ju kapë për veshi
e t’ju tubojë si macet
rreth përsheshit.
Gjithmonë në emër të popullit
u thirrët,
por vullnetin e tij
kurrë s’e përfillët.
Vetëm për xhepat tuaj
punuat,
ju bindët e u bindeni
atyre që japin
lekun
e me mito u marrin
tenderin.
Deri kur
do t’ua shohë populli
sherrin?
Me ju gjatë
do të lëngojë demokracia —
mbajeni mend:
as celulë
s’do t’ju mbetet
partia.
ARIF EJUPI
Gjenevë, 6 shkurt 2026
Xha Jorgo
Skicë
Me të gdhirë dita merrte shishen me raki, pinte gëllënk pas gëllënke me stomakun bosh.
Në qytezën ku lindi dhe u rrit, gjykimi vinte në shprehje para mëshirës; këtu edhe ëndrrat
paragjykoheshin.
I madh e i vogël e përgojonin dhe shushurisnin gojë më gojë e vesh me vesh, pa pyetur asnjëherë për
problemet dhe hallet me të cilat ballafaqohej ai.
Po të kishte empati dhe përkujdesje njerëzore, xha Jorgo s’do të kishte vdekur në vetmi e i braktisur.
Ndoshta gojëkëqinjtë do ta trazojnë edhe në varr, por ai tani as nuk sheh, as nuk dëgjon.
Edhe kur vdiq xha Jorgo, të gjithë thanë: — paska vdekur pijaneci.
Arif Ejupi
Gjenevë, 30 janar 2026

LIRIA KISHTE EMËR? PO HAGA E DREJTËSISË PSE S’ËSHTË ME DREJTËSINË? Nga Visar Zhiti

Tani nga Haga erdhi një pretencë nga më të rëndat, jo vetëm për drejtësinë ndërkombëtare, por edhe për kujtesën historike të luftës çlirimtare të një populli në Europë, të shqiptarëve në Kosovë.

Prokuroria kërkoi 45 vjet burg për Hashim Thaçin, 45 vjet burg Kadri Veselin, 45 vjet burg për Rexhep Selimin dhe 45 vjet burg për Jakup Krasniqin. 189 vjet burg. Nuk është ende një vendim gjykate, por prokuroi e hagës është çmendur, vetëm pesha simbolike e kësaj kërkese rëndon si një verdikt paraprak jo vetëm mbi kronikën e kohës, mbi të tashmen dhe historinë, por e pëson e ardhmja.

Dhe kronika e historisë nuk është thjesht dosje juridike. Ajo është dhimbje, gjak, shpërngulje, varre pa emër, por edhe qendresë, sacrifice, ëndërr dhe ringritje, etj, etj.

Kam shkruar dikur: jo Kosova në Hagë, por Haga në Kosovë. Dhe më pas: po për gjyqin e Hagës a ka tjetër gjyq?

Sot ato më duket më aktuale se më parë.

Gjykimi i historisë apo historia e gjykimit?

Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk u krijua si krim, por si përgjigje krimit. Ajo lindi nga një terr represioni shtetëror, nga një realitet ku shqiptarët e Kosovës përjetuan përjashtimin sistematik, burgosje, dhunë dhe spastrim etnik. Në një rrethanë të tillë, qendresa mbijetesë dhe kushtrim brezash, të atyre që kishin ikur dhe të atyre që do të vinin.

Të gjykosh sot drejtuesit e saj duke e shkëputur luftën nga koha e saj, nga ai kontekst historik, është një operacion që rrezikon të prodhojë një drejtësi pa kujtesë. Dhe drejtësia pa kujtesë shpesh shndërrohet në krim tjetër, në formalizëm të një politike çnjerëzore.

Ajo po vepron për të gjykuar ekskluzivisht një strukturë të vetme të konfliktit. Pyetja që lind natyrshëm është: a mund të jetë drejtësia e plotë kur është e njëanshme?

Krimet e dokumentuara të aparatit shtetëror serb janë të njohura nga bota. Masakrat, deportimet masive, dhuna sistematike janë pjesë e arkivit të ndërgjegjes europiane. Por historia duket se po futet në një ekuilibër artificial, ku kërkohet një simetri faji edhe aty ku realiteti historik nuk e njeh atë.

Teatri absurd dhe turpi i kohës

Kryeministri i Shqiperisë, Edi Rama, e quajti këtë proces “një teatër absurd të turpit”, duke shtuar se historia nuk rishkruhet me pranga për ata që sollën lirinë.” Nuk është teatër absurt, – shtoj unë, ësht:e absurdi teatral i një krimi tjetër. Ndërsa Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi se UÇK ishte mburoja e popullit dhe se asnjë gjykatë nuk mund ta njollosë luftën çlirimtare.

Nuk janë deklarata politike, por shprehje e një ndjeshmërie të gjerë të një populli në Europë, me histori europiane, “mbrojtëse e qytetërimit europian”.

Në këtë proces në Hagë, nuk gjykohen vetëm 4 persona në krye të UÇK- së, por një epokë, një kujtesë kolektive (europiane) dhe një identitet

Rreziku i zhvendosjes morale

Kur viktima dhe agresori vendosen në të njëjtën peshore, te ajo klasikja e Drejtëisë, historia fillon të humbasë drejtimin moral. Drejtësia nuk është thjesht përgjigje juridike; por dhe dallim mes shkakut dhe pasojës.

Nëse lufta çlirimtare reduktohet nga kjo Hagë në episod kriminal, atëherë rrezikojmë të krijojmë një narrativë ku popujt që mbrohen dënohen, ndërsa strukturat shtetërore që ushtruan dhunë shpëtojnë në mjegullën e relativizmit po nga kjo Hag:e a si kjo.

Kosova dhe shqiptarët në përgjithësi duhet të ruajnë maturinë dhe unitetin. Mbrojtja e luftës çlirimtare nuk do të thotë mohimi i drejtësisë, por kërkesë për drejtësi të plotë, jo selektive.

Ç’ëdshtë kjo, drejtësi ap gjykim i një anshëm politik?

E pabesueshme! Kërkesa e Prokurorit të Dhomave të Specializuara në Hagë ka shkaktuar tronditje të thellë në opinionin publik shqiptar.

Duket si rast unik në drejtësinë ndërkombëtare një gjykatë e krijuar posaçërisht për të gjykuar vetëm një palë të konfliktit, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Në asnjë tribunal tjetër nuk është ndërtuar një mekanizëm i tillë selektiv, ku agresori shtetëror, Serbia, me krimet e saj të dokumentuara, mbetet jashtë këtij gjykimi.

Drejtësia që zgjedh vetëm njërën palë, nuk është neutrale, por as drejtësi, guxoj të them se është vazhdim i krimeve të atyre që nuk i kanë në bankën e të akuzuarit..

Pavarësisht që e dimë se në praktikën e gjykatave ndërkombëtare, kërkesa për dënime maksimale përdoret shpesh si instrument presioni politik dhe psikologjik, jo domosdoshmërisht si reflektim i peshës reale të provave, por këtu kemi diçka më shumë, ndërtimin e një narrative ku lufta çlirimtare trajtohet sikur të ishte projekt kriminal.

Kjo zhvendosje e fajit nga struktura shtetërore që ushtroi dhunë, te ata që i bënë ballë asaj, është e rrezikshme dhe me pasoja.

UÇK-ja, zonja Hagë, nuk ishte një ushtri që lindi në paqe. E përs;erisim, ajo lindi nga mohimi i të drejtave të njeriut dhe të një populli, nga dhuna shtetërore, u mbyllën shkolla, u burgosën prindër, qytetarë, u masakrua dhe po dëbohej masivisht jeta shqiptare nga trualli i vet. Të gjykosh jashtë këtij realiteti, do të thotë të kryesh jo vetëm padrejtësi juridike, por dhe të bësh falsifikim moral të historisë.

Sipas meje ka disa lexime të mundshme kjo prapaskenë në teatrin absurd të Hagës:

– Krijimin artificil të përshtypjes se “të gjitha palët janë njësoj fajtore”.

– Lehtësim diplomatik për Serbinë dhe jo vetëm duke relativizuar

përgjegjësinë e saj shtetërore.

– Një drejtësi formale, mënjanëse, që mbyll kapituj, pa i zgjidhur realisht.

Çfarë duhet bërë?

` – Transparencë e plotë dhe debat publik i vazhdueshëm, jo heshtje.

– Mbështetje institucionale dhe shoqërore për të akuzuarit, pa paragjykuar, por duke mbrojtur parimin e drejtësisë së barabartë.

– Kundër-narrativë historike dhe morale, e artikuluar qartë në arenën ndërkombëtare.

– Refuzim i barazimit moral mes agresorit dhe viktimës.

Drejtësia nuk është thjesht zbatim ligji, por edhe kujtesë, ndërgjegje dhe përgjegjësi historike. Kur këto mungojnë, ligji kthehet në antiprocedurë të ftohtë, në “banalizim të së keqes”. Mos duhet në Hagë duhet të postojmë “Procesin” e Franc Kafkës?

Pyes prapë: për gjyqin e Hagës a ka tjetër gjyq?

Një bashkëbisedim mes dy poetesh amerikane KIM DOWER ME SHKRIMTAREN ERICA JONG Përkthyer e përgatitur nga Irena Dono

NACIONAL

Një bashkëbisedim mes dy poetesh amerikane

BASHKËBISEDIM I POETES KIM DOWER ME SHKRIMTAREN ERICA JONG

PËR MUA DHE ERICA JONG-un, poezia ka qenë gjithmonë dashuria e parë dhe ndoshta më e qëndrueshmja. Por ajo që kurrë nuk e dinim, vite përpara se të njiheshim, ishte se dërgimi i poezive njëra-tjetrës do të ishte ura jonë drejt një miqësie të thellë dhe të qëndrueshme. Erica dhe unë u takuam në fillimet e mia “profesionale” si publiciste letrare duke promovuar një libër për të cilin i kërkova të më jepte një rekomandim. Ne njiheshim prej vitesh para se të ndihesha mjaftueshëm e sigurt për t’i besuar dhe për të zbuluar “sekretin” tim, se edhe unë isha poete, edhe pse kisha ndaluar së shkruari poezi, por po përjetoja dëshirën e madhe për t’u rikthyer në atë zonë mrekullibërëse.

Kim Dower: Kam admiruar veprën tuaj që kur isha në shkollë të mesme dhe gjithmonë kam menduar se sa e dashuruar jeni në poezinë.

Erica Jong: E vërtetë. Kjo ngaqë poezia ka diçka që e dallon nga shkrimet e tjera: Shkon drejtpërdrejt në mendje në mënyrë të pavetëdijshme. Për shembull, kur Keats thotë: “Mbush çdo të çarë me mineral,” nënkupton se poezia bëhet forma më e çmuar e shkrimit. Sepse është plotësisht transparente. Format e tjera të shkrimeve bëjnë lojëra, kurse poezia duhet të jetë plotësisht transparente për t’u dhënë shpirt emocioneve.

Kim: Ka një poezi, një nga të preferuarat e mia, nga “Mrekullitë e së Zakonshmes” quhet “Çfarë Ju Nevojitet për të Qenë Shkrimtar.” Unë e nis çdo mësim në klasën që jap me këtë poezi për të ilustruar se si një poezi e këndshme dhe e çuditshme mund të marrë atë kthesë të lezetshme dhe të japë goditjen e fortë që na lë të shtangur në rreshtin e fundit dhe kjo na mahnit përherë.

Erica: Guximi për të jetuar si një plagë që nuk shërohet kurrë … E mbaj mend atë. Është shumë tipike për mua dhe poezinë time, sepse dua ta bëj lexuesin të qeshë dhe të qajë, të hyjë në pavetëdije dhe pastaj të tregoj sa gëzim të jep poezia, megjithëse për ta shkruar duhet ta jetosh si një plagë që nuk shërohet kurrë. Do të doja që të mos ishte kështu, por nuk mund ta ndryshoj domosdoshmërisht. Nuk mund ta harrojmë se, sado e bukur të jetë jeta, gjithmonë ka një trekëmbësh ose një Hitler në fund që do të na shkatërrojë. Është një poezi kaq hebraike.

Kim: E marr me mend. Bodleri thotë se nuk ka bukuri pa melankoli.

Erica: E vërtetë. Por një plagë që nuk shërohet kurrë është më e fortë se kjo.

Kim: A nuk mendon se shkruajmë për t’u shpëtuar, por e dimë se, nëse do të shkonim në atë vend ku gjërat janë përfundimisht në rregull, nuk do të kishim më asgjë për të thënë?

Erica: E saktë, Kim, dhe shpresoj që ta ndash këtë me studentët e tu. Kjo është shumë e pranishme edhe në poezinë tënde, dhe mendoj se një nga arsyet e lidhjes mes nesh është që e shohim jetën si të gëzueshme dhe tragjike. Në mënyrat tona të ndryshme, me metaforat tona të ndryshme, por të dyja e shohim atë ambivalencë në jetë. Mendoj se nuk mund të kuptohet natyra njerëzore pa njohur ambivalencën. Ne nuk jemi krijesa të qëndrueshmërisë.

Kim: Unë mbaj një poezi të Wallace Stevens-it në tryezën time: “Pas një jo-je të fundit vjen një po / dhe mbi atë “po” bazohet bota e ardhshme.”

Erica: Oh, sa e bukur!

Kim: Libri yt i ri quhet “Bota fillon me Po”. Pra, ti ke ‘Bota Fillon Me Po’, dhe Stevens flet për po-në nga e cila varet bota e ardhshme…

Erica: Është interesante, sepse tani njerëzit po flasin për lëvizjen “Gjithashtu edhe unë”. Si mund të thuash “po” kur shikon një pamje kaq të errët në marrëdhënien midis burrave dhe grave? Çfarë na duhet është të mbajmë “jo-në”, por pa e lejuar që ajo të zhysë krejtësisht “po-në.

Kim: Ne kemi rezonuar te njëra-tjetra për shumë vite. Si e kemi bërë këtë?

Erica: Nuk jam plotësisht e sigurt. E di që në jetën tonë të përditshme poezia herë pas here zhduket, sepse është shumë e dhimbshme të jetosh me një plagë që nuk shërohet kurrë. Sepse ka shumë gjëra të tjera që duhet të bësh: në rastin tim, unë shkruaj romane për të jetuar. Në rastin tënd, ke një profesion tjetër. Dhe si qëndron ti në vendin e poezisë? Nëse ke një mik që të dërgon një poezi të re në mëngjes, ti mendon se duhet t’i kthehesh poezisë. Dhe kjo është vlera e saj, për t’i kujtuar vetes se ekziston ai kopsht i gjelbër në një hije të gjelbër që është poezia dhe se mund të shkosh atje kur ke nevojë. Natyra na çon atje, po, por një mik mund të na çojë aty duke na kujtuar se ekziston ai vend i qetë dhe i vogël që njerëzit mesatarë nuk e vlerësojnë, përveç vdekjes, lindjes së një fëmije apo martesës. Dhe kjo është shumë e rëndësishme.

Kim: Dhe ka një afërsi kur dy poetë ndajnë poezi, një afërsi që nuk e gjen diku tjetër. Kështu ti po i tregon dikujt një pjesë të pazbukuruar të vetes dhe po i thua: “Kjo ishte ajo që kisha në mendje këtë mëngjes”, ndërsa njëkohësisht kërkon diçka në këmbim. Poezia jote i jep një poeti tjetër një frymëzim të vetin.

Erica: Kjo është plotësisht e vërtetë. Kur kam jetuar në Gjermani në vitet ’60, kisha një kopje shumë të çmuar të Ariel-it nga Sylvia Plath. Ajo ishte një nga poetet që na lejoi neve të zemëroheshim. Një nga poetet femra që na lejoi ta shprehnim zemërimin. Dhe unë kaloja faqet e librit në mëngjes për të më rikthyer në atë vend, në vendin e poezisë. Jeta jonë e përditshme, në njëfarë mënyre, lufton që ne ta gjejmë atë vend dhe, nëse keni një mik që ju dërgon një poezi, ju thoni: “Ok! Ai vend nuk është i humbur. Unë mund ta gjej”.

Kim: Në “Mrekulli të Zakonshme”, ti tashmë ke shkruar tre romane me këtë temë, thua në parathënie: “Unë vazhdoj të shkruaj poezi, sepse poezia është burimi i gjithë pjesës tjetër të veprës sime dhe gjithashtu sepse nuk ka përvojë më dalldisëse, sesa të marrësh vargun e parë dhe ta tjerësh, ta endësh, ta derdhësh në një poezi”.

Erica: Po, kjo është shumë, shumë e vërtetë, dhe ndonjëherë e di që vargu i parë të çon drejt një poezie, ndonjëherë ke një imazh mahnitës dhe e ndjek atë. Ndonjëherë poezia nuk funksionon dhe ndonjëherë funksionon. Dhe të kujtohet që procesi është i disponueshëm për ty. Kjo është arsyeja pse do të ulesha në studion time dhe lexoja çfarëdo libri të ri me poezi që kisha: Sylvia Plath, Anne Sexton, tëndin … Do të shikoja këto libra dhe do të bindesha që poezia jeton.

Kim: Tamam ai vargu i parë. Ai vargu i parë mrekullibërës! Mendoj shpesh se ne mund të përdornim vargjet e parë të njëra-tjetrës për të ndezur shkëndijat e poezive tona. Si një kurorë sonetesh ku soneti i ri fillon me vargun e fundit të atij të mëparshmit. Kjo është si një lloj korrespondence. Dhe është vërtet e mrekullueshme.

Si romanciere po ashtu, ke folur se sa shpesh duhet të zgjedhësh: të shkruash romane apo të mbetesh poete dhe kurrë nuk ke pasur nevojë të zgjedhësh. Ti i shkruan të dyja dhe thua: “Shkrimi i romaneve është si nxjerrja e kripës, shkrimi i poezive është si fluturimi”. A beson ende kështu?

Erica: Plotësisht. Është shumë e vështirë të shkruash romane. Me romanet nuk e di kurrë nëse do të të japin diçka në këmbim. Ti përpiqesh që ta bësh lexuesin të kthejë faqen. Me poezinë nuk e vret shumë mendjen, sepse e di që askush nuk e lexon.

Kur u bëra e njohur dhe vazhdova të shkruaja romane, gjithmonë isha nervoze kur shkruaja, duke menduar: A do të rezonojë kjo te njerëzit? Nuk shqetësohem kurrë për këtë me poezinë, sepse poezia është plotësisht e errët. E di që nuk do të fitosh asnjë qindarkë, e di që është jashtë botës tregtare, gjë që është shumë e rëndësishme. Japonezët besojnë se kur je një amator, bën diçka për dashuri, krijon një ekran, printon diçka, bën bukurshkrim. Nuk mendon për këtë në mënyrë komerciale. Dhe kështu gëzimi i poezisë është se nuk mund të jetë komerciale. Dhe kjo e ushqen shkrimtarin.

Kim: E, megjithatë, poezia po lexohet nga një audiencë më e madhe se sa ka qenë lexuar më parë, për një kohë të gjatë dhe njerëzit po e lexojnë atë në Internet dhe në Instagram.

Erica: Po, sepse ushqen etjen tonë për shpirtëroren dhe shoqëria jonë është bërë aq korporative dhe aq komerciale. Njerëzit gjithmonë përpiqen të kuptojnë, “Cili është trendi i ri? Dhe për çfarë duhet të lexojnë njerëzit romane?” Shkrimi nuk duhet të futet kurrë në këtë kategori. Ne kemi botues, të cilët e kanë mendjen tek ajo se çfarë do të shitet, dhe në mënyrë të pashmangshme mund të gabojnë, por ne duam të dalim nga ajo botë. Ne duam të jemi në një botë ku ekziston pastërtia e emocioneve, e shprehjes, ushqimi i vetvetes, kënaqësia e vetvetes.

Kim: Njëherë ke thënë se kur përfundon një poezi ti vallëzon rreth e rrotull shtëpisë. Ka më shumë gëzim të vetvetishëm nga shkrimi i një poezie. Pse?

Erica: Mendoj se kjo ndodh sepse ke ushqyer shpirtin tënd. Dhe gjithmonë ka gëzim kur ushqen shpirtin tënd. Është njësoj sikur je i dëshpëruar për jetën tënde dhe lexon Lutjen e Shën Françeskut. Ai të kujton që je një qenie shpirtërore e ngallmuar në mish, jo vetëm një qenie mishi. Jo vetëm një copë mishi që po kalbet. Kjo është ajo që na kujton poezia si kur e lexojmë, ashtu edhe kur e shkruajmë. Mendoj se rritja e leximit të poezisë është nevoja e thellë që kemi në një kulturë korporative ku gjithçka shitet, nevoja e thellë që kemi për të ushqyer shpirtin tonë dhe shpirtin e të tjerëve.

Kim: Poezia është gjithashtu muzikë dhe duhet të lexohet me zë të lartë. Tingëllimat e fjalëve na bëjnë të lumtur. Ti e ke thënë se kur dikush lexon një poezi me zë të lartë, ai çast i ekzistencës kthehet me të njëjtin intensitet siç është përjetuar.

Erica: Po, pikërisht. Dhe kjo na duhet në jetën tonë. Zëri i jep jetë poezisë, dhe është vërtet e rëndësishme të dëgjosh poezitë po ashtu si t’i lexosh me sy. Të dyja janë të rëndësishme, por gjithnjë e më shumë në kohën tonë njerëzit kanë nevojë për zërin. Mendoj se mund të jetë për shkak se kemi kaq shumë teknologji që përjashton zërin individual, sa që zëri individual gati po shpërthen për t’u shprehur.

Mendoj se diku në veprën time të pafund, kam thënë diçka për këtë, mendoj se ishte Frika e Fluturimit. “Të gjithë kanë talent, por shumë pak njerëz kanë guximin të shkojnë në vendin e errët ku i çon talenti.”

Kim: Flisni për ndjenjat fizike të shkrimit të një poeme, sepse padyshim që ekzistojnë disa…

Erica: Mua më ndodh që shkruaj një varg dhe nuk di nëse ai varg do të më çojë diku te një gjë e dobishme. Ndonjëherë kam disa vargje të radhitura në fletore, dhe nuk kam bërë asgjë me to.

Ja ku kam një poezi që nuk është publikuar kurrë. Ndoshta ende nuk është përfunduar:

Detyra e poetit është të debatojë me perënditë

dhe t’i mundë ato me filozofi.

Të flasë për dashurinë dhe ta përcaktojë atë,

të bekojë kafshët dhe të zgjojë botën.

E shurdhër ndaj bekimeve

bota digjet. Poeti lufton zjarrin me fjalë

për të shpëtuar botën.

Dhe pastaj poshtë kam shkruar shpejt, “A duhet ta ruaj këtë?”

Këtë e bëj gjithnjë pasi kam shkruar një poezi. Dhe pastaj ndodh që hap bllokun e shënimeve dhe gjej diçka dhe them: Pa dale kjo s’është keq! Mund të bëj diçka me këtë.

Kim: Drejt! Libri im i ri quhet “Rrezitje në Varrezën e Tyrone Power”, diçka që bëra kur u zhvendosa në L.A. në fund të viteve ’70. E shkrova këtë frazë në një bllok shënimesh dhe ajo u shfaq sërish pothuajse 40 vjet më vonë.

Erica: E sheh, pra, kjo është gjëja e mrekullueshme me poezinë, është e përjetshme. Ti erdhe nga Upper West Side i Manhattan-it dhe u vendose në Los Angeles. Apo në Forest Lawn?

Kim: Jo, ishte Varreza e Përhershme e Hollivudit. Në njëfarë mënyre, i ngjashëm me Forest Lawn. Nuk mund ta besoja kurrë që pranë varrit të Marilyn Monroe gjethet po këndonin. “Gjethet që këndojnë” mund të jetë gjithashtu fillimi i një poezie.

Erica: Si nisi korrespondenca jonë?

Kim: Kohë më parë ti më the: “Dërgomë një poezi.” Dhe unë e bëra. Dhe ti më dërgove një tënden. Poezitë tona i flisnin njëra-tjetrës pikë për pikë. Por mendoj se shkëmbimi më emocional, më me kuptim ishte kur nëna jote po vdiste dhe ti ishe me të. Ti më shkrove diçka dhe unë të ktheva përgjigje me shkrim. Më duket se një pjesë e asaj poezie është në këtë libër. Nëna jote dhe ngjyrat dhe çfarë ajo …

Erica: Oh, po! Ti më frymëzove për poezinë për nënën time në fund të jetës së saj, në moshën 101 vjeç me ngjyrat e saj. Tamam. Vdekja nuk është e zezë, apo diçka si kjo…

Më kujtohet kur ishe në një moshë të caktuar dhe më the, “Gjithmonë kam shkruar poezi. Kam studiuar me Thomas Lux. A jam shumë e vjetër për të qenë poete?” Dhe unë të thashë, “Po tallesh? Thjesht je gati të bëhesh poete për gjithë jetën.” Dhe të inkurajova. Nuk ishte e vështirë, sepse ishte e qartë që kishe nevojë të ktheheshe te vetvetja atëherë. U ndjeva si një kumbarë. Një nënë për poezitë e tua. Dhe mendoj se të gjithë kanë nevojë për një mik të tillë.

U kam sugjeruar shkrimtarëve që më pyesin që nëse nuk mund të gjejnë një grup shkrimtarësh dashamirës, ku njerëzit e inkurajojnë dhe e duan njëri-tjetrin (gjë që mendoj se është shumë e rëndësishme), ata duhet të gjejnë një mik me të cilin kanë një marrëdhënie të veçantë dhe që admiron punën e tyre. Ne mund ta quajmë këtë lidhje praktike poet më poet.

_______________________

Kim Dower është Poete Laureate e Qytetit të West Hollywood. Ajo ka botuar katër përmbledhje me poezi me Red Hen Press dhe jep leksione në Universitetin Antioch, Los Angeles.

Erica Jong është një romanciere, poete amerikane dhe eseiste amerikane, e njohur veçanërisht për romanin e saj të vitit 1973, “Frika e Fluturimit”. Libri u bë i famshëm dhe kontrovers për qëndrimet e tij ndaj seksualitetit të grave dhe luajti një rol të rëndësishëm në zhvillimin e valës së dytë të feminizmit. Jong ka shkruar përmbi 12 romane dhe 6 libra me poezi.

SARAMAGO – MURET ME LIBRA DHE ULLIRI PARA PORTËS… Nga Visar Zhiti

Lisbona i ngjan një ëndrre, ndoshta në dimër më shumë, me atë pak mugëtirë, përndritëse të vjen të thuash dhe me atë shi të sinqertë, s’kam parë shi më të sinqertë se këtu…. që të thërret të dalësh me zë prej shkrimtari.
Ndoshta na dukej kështu se po shkonim te Saramago.
Rrugëve me kalldrëm e shkuara është dhe e tanishme, historia këtu frymon ngadaltë. Ngjan me të gjithmontën si lumi Tagus përballë.
Aty pranë lartësohet Casa dos Bicos, ngrehina me gurë të ndjeshëm si ato që futen në letërsi.
Mbi rrënojat romake, që duken pas xhamave, janë katër katet e Fondacionit José Saramago. Metafora është e qartë: mendimi modern nuk lind në boshllëk, por mbi shtresa kujtese. Jo thjesht muze, por hapësirë e kujtesës, e ndërgjegjes më shumë. Jo tempull, por vend dialogu. Një shtëpi e madhe, ku librat nuk pushojnë së pyeturi.
Në faqe muresh shfaqen botimet e shkrimtarit nobelist nga e gjithë bota. Gjuhë të ndryshme, kultura të ndryshme, por i njëjti shqetësim etik, do të thosha.
Ja, dhe romanet e tij në shqip, që i kam lexuar me përkthimin e bukur të shkrimtarit Nasi Lera.
Ekrane, video, jo thjesht kronikë jete, por dëshmi e një qëndrimi: fytyra e Saramagos ndryshon me vitet, por shikimi mbetet ngulmues. Zëri i tij rikthehet i qetë, i saktë, pothuaj profetik në thjeshtësinë e vet:
“Ne nuk u verbëruam. Ne jemi të verbër. Të verbër që shohin, por nuk shohin.”
Romani “Verbëria” nuk është alegori e një katastrofe të largët, por diagnozë e përditshme. Verbëria për Saramagon nuk është mungesë shikimi, por refuzim i përgjegjësisë. Shoqëria sheh vuajtjen, padrejtësinë, dhunën, por zgjedh të mos reagojë. Dhe ky është mëkati modern.
Kujtoj kur Eda ime lexonte këtë libër dhe ia tregonte në mënyrën e saj djalit tonë të vogël, Atjonit, që mezi priste vazhdimin… mami, tregomë…
Ngjitja nëpër shkallët e Fondacionit nga njëri kat në tjetrin bëhet një rit përsiatjeje, sikur shkohet nga kapitulli në kapitull. Në çdo kthesë citate dhe zëra. Fjala këtu nuk është dekor, por ndërprerje e duhur, të detyron të ndalosh brenda vetes. Të rikujton se mendimi kërkon guxim.
Ja studioja replikë e Saramagos, ku ishin mbartur skrivania autentike, makina e shkrimit, syzet, stilografi, librat e punës, orenditë që donte dhe muzg, vërtet aty ishte ëndrra. Në njërën nga anët, e ç’rëndësi ka në cilën mesore të ndodhive, rrezëllin medalioni i Çmimit Nobel, nuk bën zhurmë, qëndron i ftohtë madje, si pa triumf. Si një dëshmi e ftohtë, por dhe kryeneçe se kumti mund të arrijë kulme botërore pa humbur ndershmërinë. Saramago nuk e pa kurrë Nobelin si mbërritje, ca më pak si fund, por si provë se letërsia e vërtetë mund të mbetet dhe e pakëndshme, sepse ajo godet…

TAKIMI ME GRUAN,
PILAR DEL RIO.

Njëri nga punonjësit e Fondacionit, jam Antonio, na tha, na priu për në katin më të lartë, ku tej dritareve të mëdha dukej lumi oqeanik, ndërsa poshtë, në oborrin e hapur me kalldrëm, bleronte një ulli i vetmuar, dramatik.
Menjëherë u shfaq gruaja spanjolle e Saramagos, Pilar del Río, e qeshur dhe krahëhapur. Na priste. I kishte thënë miku i përbashkët yni, Sebastiano Grasso, poet dhe gazetar ashtu si dhe Pilar, ndërkohë dhe Presidenti i PEN Clubit Italian, ku unë jam antar. U përqafua me Edën sikur s’ishte hera e parë që shiheshim, pastaj dhe me mua. E imët me flokët e shkurtëra në ngjyrë hiri e syze të trasha, xhaketë të zezë e shall të kaltër me të bardhë, me fund vishnjë, të gjatë e me pala, me të gjitha ngjyrat e një dite të Lisbonës. Eda u ul pranë e saj dhe unë përballë.
E falenderuam për takimin dhe i thamë se Saramago ka lexues të shumtë në Shqipëri dhe e duam shumë. Të gjithë librat e tij dhe në shqip, janë në bibliotekën e Fondacionit, na thanë. Gazeta ExLibris në Tiranë po këtë javë, – ç’koincidencë, – kishte një shkrim “Dashuria e José Saramago-s dhe Pilar del Rio”, të shkruar nga botuesi i gazetës, Bujar Hudhri, ia treguam gazetën në celuar, po ajo e kishte parë, ia kishte dhenë fotografi personal i Saramagos, Joaquim Silav Rodrigues, dikur ai kishte ardhur në Tiranë për një intervistë me Kadarenë. “Sekreti” për të cilin flitet në shkrimin e Bujarit, na i tregoi dhe Pilar: Saramago kishte propozuar për çmimin Nobel Kadarenë, janë takuar në Paris, na tha, edhe në Parlamentin Europian të Shkrimtarëve. Po Kadare kaq vite kandidat, aq sa lexuesit të huaj u dukej se e kishte marrë, pse s’e ka nobelin Kadare, çuditeshin dhe kaq lehtësisht Pilar e zhvendos tonin e bisedës nga kanoni te njeriu, flet për Saramagon me një përzemërsi që rrënonte çdo patetikë. Kujtime të vogla, ironi, të qeshura. Saramago i përditshëm, që e dinte se humori është një formë e lartë inteligjence morale.
Kujtuam Sebastiano Grasson, takimin e tij me Saramagon në Milano, në foto duket Pilar duke përkëdhelur qenin, Bleikun, që shpesh e shëtiste dhe Atjoni nëpër Milano, ne fjetëm në shtëpinë e Sebastianos, edhe ne kemi qenë, i tha Eda, në të njëjtat dhoma, shtova unë, madje kemi fjetur në të njëjtin shtrat me ju, por në kohë të ndryshme. Pilari qeshi, po, po, shtoi me entuziazëm. Pastaj biseda shkoi te librat dhe te përgjegjësia e shkrimtarit. Folëm për censurën dhe diktaturat, për Frankon, Salazarin dhe Hoxhën, ky i fundit ishte më keq, thashë, njëlloj janë, tha Pilar duke bashkuar gishtat tregues.
Ne flisnim më shumë italisht, Pilar spanjisht, kur nuk kuptoheshim në ndonjë detaj, Antonio që bënte dhe video, përkthente në anglisht për ne, por kishte diçka që qendronte mbi gjuhët, që s’ishte veç buzëqeshje e gjeste miqësore mirëkuptimi, por vetë kuptimi, edhe dhimbje. Eda i kërkoi një autograf Pilarit mbi librin me poezi të Saramagos, por do ju jap dhe librin tim, tha ajo, botuar nga Feltrineli, “L’intuizione dell’isola. Ditët e Jozé Saramagos në Lanzarote” (Intuita e Ishullit. Ditët e Jozé Saramagos në Lanzarote).
Dora e saj udhëtonte andej-këndej në faqen e parë të librit.
Unë kisha sjellë për të librin tim të fundit me poezi, të botuar në Itali, “Strade che scorrono dalle mie mani” (“Rrugë që rrjedhin nga duart e mia”). Ajo pati një rebelim gruaje për burgun, të dënohesh për poezi, thirri. Ah, jo, tha, kur pa autografin tim, jo zonjës Pilar, ndreqe, mikes Pilar, dhe unë i vura një vijë fjalës “signora” dhe mbi të shkrujata “amica”, por lexoheshin të dyja fjalët, ndoshta është i pari autograf me korrigjim, thashë dhe po qeshnim. Duhet më shumë miqësi mes zonjave dhe zotërinjve të kësaj bote.
Nga dritaret e mëdha, lumi Tagus kishte marrë ngjyrë autografi, po i ngjante një mendimi të gjerë, të ngadaltë, të pandalshëm. Lisbona me dritë e bënte konkrete idenë se qyteti mund të jetë dhe hapësirë etike. Romani i Saramagos “Vdekja me ndërprerje” imagjinon dhe ndalimin e vdekjes, po mendoja. Mungesa e vdekjes nuk sjell shpëtim, por krizë. Sepse pa kufi, jeta humbet kuptimin e përgjegjësisë. Pa fund, njeriu nuk di më saktë se pse duhet të jetojë. Ky roman nuk flet për vdekjen, por për jetën, për vlerë e saj morale.

ULLIRI I VENDLINDJES

Dolëm si nga një ëndërr. Jashtë, para portës së Fondacionit, Ulliri i sjellë nga Azinhaga, vendlindja e Saramagos. Një pemë fshati, e heshtur, e fortë. Te rrënjët e ullirit ndodhet urna me hirin e José Saramagos, shkruhej dhe mbi pllaka. Dhe Pilari e sheh përditë nga dritarja këtë ulli. Prandaj dhe flokët e saj i ka në ngjyrë hiri. Më shumë se sa në flokë, madje dhe më shumë se te rrënjët e ullirit, ai hi është hedhur mbi libër si mbi zemër.
Jo një varr monumental mermeri. Por tokë. Rrënjë. Në vazhdimësinë e tyre metaforike. Hiri i shkrimtarit ushqen pemën që qndron. Fjala e tij bëhet dhé, jetë, kohë.
Ky akt është ndoshta dhe gjesti filozofik i gjithë trashëgimisë së tij. Sepse Saramago nuk deshi të ngrihej statujë mbi njerëzit, por të qëndronte mes tyre si jetë. Ai nuk deshi pavdekësi korpi, por lëvrim të mendimit. Dhe këtu sikur na rishfaqet thelbi i “Ungjillit sipas Jezu Krishtit”, hyjnorja zbret në tokë, bëhet njerëzore, edhe më shumë akoma, bëhet përgjegjësi.
“Njeriu është i vetmi qenie që refuzon të jetë ajo që është.”
Jezu i Saramagos nuk është ikonë, por njeri që dyshon, që vuan nga përgjegjësia, që pyet Zotin. Një figurë që e zhvesh besimin nga bindja e verbër dhe e kthen në ndërgjegje.
Ulliri para portës nuk është simbol, as dekor memorial. Është një ulli, ti po deshe mbill një mendim. Ai është një ftesë për durim dhe dritë, për kujtesë. Qëndron aty për këdo që hyn dhe del, për këdo që ndalon një çast, për këdo që ende beson se letërsia nuk është luks, por kërkesë estetike dhe po aq edhe nevojë morale, formë e etikës.
Vlerësimi që populli portugez i bën Saramagos së tij nuk është ceremonial. Është i heshtur, i përditshëm si një marrëdhënie e gjallë mes shkrimtarit dhe qytetit. Kështu dhe letërsia sikur nuk mbyllet në libra, por vazhdon të jetojë.
Një shkrimtar ka zgjedhur të mbetet tokë.

Fitorja e një sfide- Tregim nga Neki Lulaj 

Askush nuk e kuptoi menjëherë se çfarë po ndodhte. Në fillim gjithçka erdhi tinëz, si një mjegull e dendur që mbulon qytetin pa zhurmë. Me suprimimin e autonomisë së Kosovës, për shqiptarët u shua ngadalë, por sigurisht, çdo ndjenjë sigurie dhe rehatie. Ligji u shndërrua në dhunë, ndërsa shteti në frikë.
Rrugët, që dikur gumëzhinin nga zërat e njerëzve dhe hapat e fëmijëve, nisën të boshatiseshin. Në sytë e qytetarëve u shfaq një pasiguri e re, një frikë e heshtur që nuk shqiptohej me fjalë, por lexohej qartë në fytyra. Njerëzit flisnin pak. Shikonin rreth e rrotull para se të thoshin diçka dhe mbylleshin në shtëpitë e tyre sapo errësohej.
Ngjarjet filluan të pasonin njëra-tjetrën me një shpejtësi marramendëse. Çdo ditë sillte një lajm më të keq se i djeshmi. Arrestime pa arsye, përjashtime nga puna, rrahje nëpër rrugë, kërcënime të hapura. Jeta, ashtu siç njihej deri atëherë, po shuhej para syve të të gjithëve.
Rrethana të paqëndrueshme u krijuan brenda natës dhe ngjarjet filluan të rrokulliseshin njëra pas tjetrës, duke i detyruar shumë familje shqiptare ta braktisnin vendlindjen e tyre të dashur. Me atë ikje u vranë ëndrrat, u copëtuan shpresat dhe frika u bë shoqëruesja e përditshme e atyre që morën rrugën e mërgimit drejt ndonjë shteti evropian, në kërkim të strehimit politik.
Ata ishin një çift i zakonshëm, njerëz të ndershëm dhe të arsimuar. Ai punonte si inxhinier, ndërsa bashkëshortja e tij si mami në spital. Jetonin thjeshtë, por me dinjitet. Jeta e tyre nuk ishte e pasur, por ishte e ndershme. Kishte rregull, kishte plane dhe kishte besim se puna dhe arsimi do t’i mbronin. Ky besim u thye brutalisht në mars të vitit 1989 kur ia hoqën Kosovës kompetencat e autonomisë përmes ndryshimeve kushtetuese në S..,
Një ditë të zakonshme, pa paralajmërim, të dy u thirrën në zyrat përkatëse. Nuk pati dokumente, nuk pati vendime me shkrim. Vetëm fjalë të thata, të ftohta, të thëna me përbuzje: “Jeni të papërshtatshëm ideopolitikisht.”
Të dy u përjashtuan nga puna pa asnjë vendim zyrtar. Vetëm gojarisht u komunikua se ishin “të papërshtatshëm ideopolitikisht”. Ai për mosbindje politike, ajo për refuzimin e firmosjes së një liste që dënonte demonstratat e studentëve, të cilat regjimi i shpallte armiqësore dhe kundërrevolucionare.
Gjendja në vend u bë kaotike. Regjimi i egër shovinist ishte shndërruar në një monstrum që shkatërronte gjithçka që i dilte përpara, pa kursyer as jetët e qytetarëve të pafajshëm. Grupe paramilitare famëkeqe dhe kriminelë të liruar nga burgjet u lëshuan në Kosovë vetëm për të mbjellë frikë, incidente dhe vrasje.
Jeta normale ishte paralizuar plotësisht. Në Kosovë ishte instaluar një rgjim vrastar, i egër. Për regjimin, çdo shqiptar ishte irredentist: fëmijët në kopshte, nxënësit në shkolla, studentët dhe punëtorët e arsimit. Në vendet e punës së shqiptarëve silleshin njerëz analfabet nga Kurshumlia, Leskovci dhe Nishi.
Në të gjitha qytetet u vendos ora policore. Nga ora 18:00 e mbrëmjes deri në orët e hershme të mëngjesit askush nuk guxonte të dilte nga shtëpia. Populli ishte i pafuqishëm për t’iu kundërvënë kësaj makinerie vrastare çetnike. Burgjet u mbushën përplot me të rinj e të reja, profesorë, studentë, nxënës dhe edhe me njerëz të moshuar. Torturat ishin të egra, çnjerëzore. Vrasjet e shqiptarëve shpërbleheshin dhe frika sundonte gjithçka.
Megjithatë, përkundër gjithë kësaj errësire, diku larg në horizont dukej një vezullim i zbehtë drite, që simbolizonte shpresën për liri. Sepse gjithmonë thuhej se zullumi këputet prej trashit.
Kjo katrahurë, kjo dramë tragjike që luhej mbi kurrizin e pambrojtur të shqiptarit, i detyroi ata që, me lot në sy dhe zemër të copëtuar, ta merrnin rrugën e ikjes. Rrugën e dhimbshme të mërgimit, duke kërkuar strehim politik në një shtet evropian.
Ditët e para të mërgimit u dukën si ditët e ferrit të Dantes. Nga njëra anë, ishin qetësuar shpirtërisht dhe fizikisht: nuk dëgjonin më sirena policie, sharje, fyerje, krisma automatiku apo këngë çetnikësh. Nga ana tjetër, ndiheshin të humbur. Në vendin e huaj kishin liri. Kjo i bënte të ndiheshin të pasur, por u mungonte gjuha, u mungonin njerëzit e afërt, u mungonte atdheu. Vetja u dukej sikur kishin humbur në një shkretëtirë të panjohur.
Zyrtarët shtetërorë shpesh silleshin me përbuzje ndaj tyre, jo nga ligësia, por nga mosnjohja e dhimbjes së tyre. Në atë kohë kishte pak ose aspak informacion për gjendjen në Kosovë; gjithçka ishte tabu. Prandaj, të sapoardhurit nuk trajtoheshin në nivelin e duhur.
Për dy bashkëshortët dhe katër fëmijët e tyre, kjo ishte një rrugë e gjatë dhe e mundimshme drejt integrimit. Ata ndiheshin të humbur, pa perspektivë, të mbytur nga malli dhe pasiguria. Shpesh e vinin në dyshim vendimin për t’u larguar nga vendlindja, por ndonjë zgjidhje tjetër nuk kishin. Megjithatë, një gjë e kishin të qartë: dhimbjen dhe pasigurinë e tyre nuk do ta shfaqnin kurrë para fëmijëve. Përballë tyre përpiqeshin të qëndronin të fortë, duke mbajtur gjallë shpresën se një ditë gjithçka do të kishte kuptim.
Të dy bashkëshortët ndiheshin të rënduar psiqikisht, por të zbrazur shpirtërisht. Kishin mbërritur në një vend të huaj, larg atdheut të tyre të origjinës, dhe aty ku kishin ngulur jetën, u duhej ta ndiznin oxhakun e ftohtë të mërgimit me shkarpat e shpirtit. Jeta kishte filluar nga e para, në heshtje, mes pasigurive dhe shpresave të brishta.
Prioriteti më i rëndësishëm ishte sistemimi i fëmijëve në shkollë. Falë ndihmës së organizatave humanitare, Diakonisë dhe Caritasit, që vepronin në atë qytet, dy fëmijët e mëdhenj u regjistruan në shkollë, ndërsa dy më të vegjlit në kopshtin e fëmijëve. Për prindërit, të dy intelektualë, por pa njohjen e gjuhës, horizonti dukej i mjegullt dhe pa perspektivë.
Çdo mëngjes, kur fëmijët niseshin për në shkollë e në kopsht, ata shikonin qytetin ku kishin ardhur për të jetuar. Ishte një qytet turistik jashtëzakonisht i bukur, me arkitekturë të rrallë dhe mbi dy mijë vjet histori. Në zemër të tij ngrihej një katedrale madhështore, aq e bukur sa thuhej se e gjithë Gjermania nuk kishte një të dytë si ajo. Qyteti ishte i pastër, me rrugë të gjera, plot gjelbërim dhe jetë.
Në fund të qytetit, vetëm pesëqind metra larg qendrës, gjarpëronte një lumë i madh, me ujëra të bollshme, që quhej Rheina. Mbi të lundronin anije të mëdha tregtare dhe anije turistike, të mbushura me vizitorë nga e gjithë bota. Thuhej se ky lumë ishte dhurata më e çmuar e qytetit, fryma e tij e gjallë.
Të dy bashkëshortët kishin një dëshirë të thjeshtë, por të paarritshme për ta në atë kohë: të uleshin për një kafe me ndonjë qytetar vendas dhe të shkëmbenin disa fjalë. Por gjuha ishte muri i padukshëm që i mbante të ndarë.
Ndërkohë, fëmijët filluan të përparonin me hapa të sigurt. Dy më të mëdhenjtë në shkollë dhe dy më të vegjëlit në kopsht përvetësonin gjuhën me shpejtësi, gjë që u sillte prindërve shpresë dhe gëzim të madh. Filluan të ndërtoheshin edhe ura shoqërore: fëmijë gjermanë vinin për lojë në oborrin e shtëpisë së tyre, dhe zërat e gëzuar të fëmijëve e mbushnin hapësirën me jetë.
Një ditë, një vajzë gjermane, nxënëse e shkollës së mesme, trokiti në portën e tyre. Ajo foli në gjuhën e saj, duke kërkuar leje të luante me fëmijët e tyre. Fjalët e saj u përkthyen nga fëmijët, pasi prindërit nuk e kuptonin ende gjuhën. Ata pohuan me kokë njëzëri, duke thënë “po”.
Ishte një moment i bukur dhe domethënës. Ajo ditë u zgjat deri në mbrëmje, dhe lojërat vazhduan edhe ditët në vijim. Vajza filloi të vinte shpesh edhe në banesën e tyre, duke ngrënë drekë e darkë bashkë me familjen. Më vonë mësuan se quhej Dorothea. Ajo ishte vajza e dy prindërve intelektualë: i ati avokat, e ëma mësuese.
Vitet kalonin dhe Dorothea, ishte bërë si anëtare e familjes së tyre. Ajo merrte pjesë në piknikë, shëtitje dhe gëzime me katër fëmijët e inxhinierit. Me lejen e prindërve të saj, shpesh flinte në banesën e tyre, derisa erdhi dita kur u largua për studime. Fëmijët, tashmë të rritur dhe nxënës të shkëlqyer, ndienin mungesën e saj, edhe pse gjuha tashmë nuk ishte më pengesë. Pas përfundimit të studimeve, Dorothea mbeti mike e sinqertë e kësaj familjeje.
Vitet iknin me turravrapin e erës. Fëmijët u rritën dhe secili ndërtoi rrugën e vet. Njëri prej tyre u dallua në sport dhe arriti të ndërtonte një karrierë të suksesshme si futbollist, duke u bërë krenari jo vetëm për familjen, por edhe për qytetin. Të gjithë përfunduan shkolla të larta dhe universitete, themeluan vende të mira pune dhe u integruan në jetën gjermane.
Familja u bë e dobishme edhe për bashkëkombësit e tjerë që kishin ardhur nga Kosova vite më vonë, duke i ndihmuar si përkthyes nëpër zyra gjermane dhe në çështje të ndryshme jetësore. Ata nuk harruan kurrë rrënjët e tyre, por i shndërruan ato në urë lidhëse mes dy botëve.
Dhe kështu, oxhaku dikur i ftohtë i jetës në mërgim u ndez ngrohtë. Jo nga rastësia, por nga puna, durimi, solidariteti dhe dashuria. Jeta në vend të huaj nuk ua fali gjithçka, por ua dha mundësinë ta ndërtonin vetë — dhe ata e ndërtuan me dinjitet.

PULS I BLERTË – Cikël poetik nga RUZHDI GOLE

NUHATJE
.
O pyll…
shpëtofsh
prej njeriut !
.
O pyll …
ti, ndërkohë
njerëzorin shpëto !…
.
FLUTURIMI
.
Më lëvdonin mua,…
tani më lëvdojnë kapelen
s’m’i shohin zogjtë që ende
më fluturojnë shpejt nga duart.
.
E heq kapelen,
e fluturoj në ajër
zogjtë e marrin
për strehë
ditën e diellit e të shiut,
O njerëz,
kokën mos
ma lëvdoni mua
lëvdoni zogjtë që
fluturojnë ende
nga gishtat e njeriut.
.
FLUTURIM LOTI
.
Një pëllumb vërtitet
rreth kokës sime
.
më çukit në kafkë
lehtë m’i puth sytë,
.
m’i çukit gishtrinjtë
si të kem thërrime
.
më çukit në puls..
.
Kraharon
ky pëllumb
hovshëm
me plisin më të blertë,
.
don t’shkoj atje
ku bota s’ka
thonj,
.
ku njeri s’e vret.
.
SHAKA E QETË
.
Oooo, kam frikë se nuk vdes.
.
Po nuk vdiqa
ca macezeza
në vesh do më mjaullijnë,
lëkurën e thatë
(dikur membranë rimtë)
do ma vyshkin sëmundjet pabesisht.
.
Lëkurën e artë të moçmërisë.
.
Sot, blertë veshur nga kodra, …
ndër fjalë përtërihem
nesër pasnesër
s’jam i shtëpisë
ndoshta …
.
Kam frikë se (nuk) vdes.
.
PËR T’U SHPLODHUR
.
Sa herë çel sytë era, era në mjedis
përpara sheh flutura të ndjera
dhe plehëra
.
kujt t’i’a kallzojë me gisht ?
.
Sa herë rrëmbehet shiu
shiu jo aq i pabesë
sheh kishën
prej njeriu
kokën e rrufesë.
.
Sa herë lëndohen lulet
era qan në mjedis,
.
begatojmë
pastërtisht nga kryet
.
dikush, në rrënjë, na bën pis.
.
BEFTË
.
Mbrëmë fluturoi
pëllumbi yt i gjelbër …
.
Njitash, në mëngjes
fluturimi qetoi
habie beftë.
.
Për krahun e k’putur të zogut
ejani të mbajmë zi,
të thërrasim lulet
bletët haretë,
.
hareja u përlot
ndjell e ndi
vinte nga një festë…
.
Tek bleta nektari u ngjeth.
.
Lulja në shi u mbyt
n’ajri iu këputën
sytë.
.
Guri që qëlloi zogun
drithmoi u thërrmua,
.
njeriu që qëlloi zogun
dhe qiellin
s’ka lotë
.
me heshtjen e tij te fshehtë
mua më kërcënon sot
në mos
është duke më kafshuar..
.
PËRMENDJE
.
Drurët roje janë, s’janë roje,
degët dashje padashje
era i merr në duar,
.
degët përhapën krahët
sa u përmenda shiun
mbrojnë çka
ne duam.
.
Nuk i fshihet erës asnjëherë
droja, ngrohur më shpejt
nga gjithë ledhatimet,
.
sa përmenda erën
më shumë nisa
të rroja
shi i ngazëllyer
plot farëra vetëtime…
.
TEK KULLA ANZHUI
.
Harlisen gishtat, ledhin mëngjesin
ishullin e ri të së bukurës, harlisin
kodrën me kopshtet frutikulturë.
.
Mëngjesi në kodër
thith ajër,
ajër,
ajër,
.
qyteti ynë tëposhtë
majave krenohet
shpesh grabit
nga tanët.
.
Nën kodrën djeg’ gjysmë
qyteti s’ngopet
me ajër …
.
Megjithatë, ky mëngjes
ndjehet ishulli i ri i së bukurës,
.
kodra vë në gjumë farin jo kullën.
.
RREZMË
.
Drurët i gjenden
pranë njëri – tjetrit,
në cikmë
afrojnë gishtat
i puqin të ngrohen,
ujërat e tepërta
thithin
në përmbytje,
rrezet
ia shpërndajnë
njëri-tjetrit njësoj
.
asnjëherë nuk grinden
për foletë e pëllumbave.
.
SKULPTURË DYRRAHASE
.
Gishtat ende xixojnë
me hope dhe droje
durim e daltë
.
rrembat bubullima
.
korifeu, kori, rojet
mpihen acartë.
.
Acari i ri rrebeshëm
sosje nuk soset
vrenjtet vrujim,
.
pendët e territ
shkunden
me hope
.
teatri vishet me sqimë.
.
Skulptura
të rënda, të lehta
plot rrokullima në fyt,
.
qyqe qyqesh
të vërteta
.
Qyqe, afrohu, m’u hiq sysh !
.
FALJE
.
Kjo pëllëmbë
të lëndon
ledhaton …
.
falja detit,
.
falja ishullit
plot sy
që vrojton
.
ta mbaj mbi vetull
.
të shkund retë
shira shëndeti.
.
Kjo pëllëmbë
të nxeh ftoh
në palcë …
.
Jepja gurit,
.
të thërrmoj
me një popël
peshkun e artë
.
tjetër fat
dinak truri.
.
Kjo pëllëmbë
shpërndan
gishtrinjtë
te një hark,
diku tjetër
short,
.
nëpër pyll harlisen
njëqind sëpata marrëzisht
për drurët e njomësht në gjoks.
.
Ku i ke sytë, oh, o Njeri
për kurorën flokë Art ?
Ti, as veten tënde
më s’e  prin
as e mbart.
.
Jetë, ç’të bëjmë fli, o jetë …?
pyllin që qan, urtinë
më të gjelbërtin
alfabet ?

Send this to a friend