VOAL

VOAL

Juristi Marash Logu: ‘Të paprekshëm’ – Ndryshimet ligjore ‘nominative’, i garantojnë pandëshkueshmëri Ramës e 29…

Nismën ligjore të kryeministrit Edi Rama për të ndryshuar Kodin e Procedurës Penale që mbrojnë atë vetë, ministrat dhe disa zyrtarë të tjerë të lartë nga pezullimi, cilësohet si ‘ligj nominativ’ nga juristi Marash Logu.

I ftuar në studion e edicionit të lajmeve sot në ‘Syri Tv’ me gazetare Armela Ferko, Logu thotë se qëllimi i nismës ligjore u garanton pandëshkueshmërinë 29 zyrtarëve.

“Qëllimi i nismës është që këtyre zyrtarëve t’u garantohet me ligj pandëshkueshmëria, duke penguar SPAK-un të marrë masa sigurimi si pezullimi nga detyra, pavarësisht akuzave me të cilat mund të përballen, si shpërdorimi i detyrës, shkelja e barazisë në tendera apo shkaktimi i dëmeve të mëdha financiare në buxhetin e shtetit.

Nisma që ka ndërmarrë Edi Rama ka për qëllim që për 29 zyrtarë të lartë, t’ju garantojë paprekshmërinë dhe pandëshkueshmërinë ta sanksionojë me ligj. Gati, gati ky është ligj nominative.

Pra për këta 29 individë, SPAK-u duhet të kursehet në hetimet e veta dhe në masat që mund të ndërmarrë ndaj këtyre individëve. Pavarësisht se ata nga hetimet e SPAK-ut mund të rezultojnë që abuzojnë me detyrën, kanë shpërdoruar detyrën, shkelin barazinë në tendera, i shkaktojnë dëme qindra miliona euro buxhetit të shtetit  SPAK-u nuk mund të vendosë pezullimin nga detyra të këtyre 29 zyrtarëve, ku përfshihet Presidenti i Republikës, Avokati i Popullit, kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, kryeministri, zv/kryeministri dhe anëtarët e qeverisë.”

Logu argumenton se përfshirja në këtë nismë ligjore dhe e presidentit, Avokatit të Popullit, kreut të KLSH-së dhe gjyqtarëve të Kushtetueses është vetëm garniturë, pasi qëllimi i vërtetë është mbrojtja e tij, Belinda Ballukut dhe ministrat.

“Përfshirja në këtë nismë ligjore e Presidentit të Republikës, Avokatit të Popullit, kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese është thjesht për garniturë, se qëllimi kuptohet që është për të mbrojtur veten, zv/kryeministren apo anëtarët e tjerë të qeverisë. Këta të tjerët u përfshinë për një lloj garniture, sepse qoftë në Kushtetutë dhe qoftë në ligjet organike, këta zyrtarët e tjerë që janë përfshirë e kanë të sanksionuar mënyrën se si ata mund të pezullohen nga detyra.

Për shembull marrim gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese. Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese në Kushtetutë parashikohet që mund të pezullohet nga detyra në qoftë se ai merret i pandehur për një vepër penale, dënohet për një vepër penale dhe këtë vendim e merr vetë Gjykata Kushtetuese. Pra, parashikimi i propozuar sot vjen në kundërshtim me dispozitën kushtetuese që e parashikon mundësinë e pezullimit nga detyra edhe për një anëtar të Gjykatës Kushtetuese”

Logu më tej e quan një rast të pastër të konfliktit të interesit dhe e argumenton pse:

“Propozimi i sotëm në fakt është një nga rastet e pastra të konfliktit të interesit. Sepse Edi Rama ka propozuar një nismë ku është drejtpërdrejtë  përfshirë në këtë nismë. Sepse ka garantuar një imunitet të zgjeruar për veten e tij. Ligji për konfliktin e interesit parashikon që zyrtarët nuk mund të parashikojnë, nuk mund të propozojnë as të miratojnë nisma ligjore, akte nënligjore  që janë individuale, siç është ky rasti konkret. Sepse prek një numër të kufizuar zyrtarësh, favorizon vetë në mënyrë të drejtpërdrejtë zyrtarin.

Ligji për konfliktin e interesit thotë që nisma të tilla janë absolutisht të pavlefshme sepse janë kushtet e konfliktit të interesit. Kryeministri dëshiron të sanksionojë nëpërmjet kësaj nisme ligjore që SPAK-u dhe GJKKO-ja, nuk mund të sanksionojnë pezullimin e tij nga detyra, pavarësisht se çfarë mund të rezultojë nga hetimet e SPAK-ut,  edhe sikur të zbulohet që ka abuzuar me detyrën, ka shpërdoruar detyrën, është përfshirë në veprimtari të paligjshme,  është i korruptuar apo, ka shkaktuar dëm buxhetit të shtetit miliarda euro. Është një rast i paprecedentë. Unë nuk di një rast të ngjashëm as në historitë e vendeve të Bashkimit Evropian. Nuk di një rast të ngjashëm as në Shqipëri, pavarësisht problemeve të mëdha që ka pasur Shqipëria në këto 35 vite.

Nuk di një rast të ngjashëm që kryeministri në detyrë ka propozuar një nismë ligjore qoftë ligj në parlament, apo akt nënligjor të miratuar nga qeveria, që synon t’i ofrojë atij vetë, personalisht dhe anëtarëve të kabinetit mbrojtje nga hetimet që mund të kryejnë organet ligjzbatuese.” 

‘Krimet që janë bërë, janë të qarta’, Lubonja: Sfida e SPAK, të thërrasë Ramën dhe Ballukun si të pandehur

Analisti Fatos Lubonja u shpreh se në thelb të veprimeve të kryeministrit Edi Rama, qëndron qëllimi për të kontrolluar SPAK, dhe se e gjithë propaganda e tij është të duket sikur po e mbështet drejtësinë.

Gjithashtu shtroi pyetjen nëse ‘SPAK do të ketë kurajën që ta thërrasë si të pandehur bashkë me Ballukun’? Më tej shtoi se krimet që janë bërë, janë të qarta dhe se kryeministri Edi Rama vazhdon lojën për shkak se ka hallin e tij.

Sipas Lubonjës, tashmë Rama po përpiqet që t’i tregojë SPAK që të mos shkojë më tej,  duke i treguar në njëfarë mënyre “kufirin”.

Këtë po  e bën sepse kërkon ta mbrojë duke na futur edhe gjithë Shqipërinë. Çështja është a është bërë ky korrupsion apo jo?  SPAK duhet që në fillim të kishte kërkuar heqjen e imunitetit dhe arrestin. Por pse nuk e kërkon SPAK?

Por lajmi që është sot është ky që Rama i vuri kurifin SPAK…dhe i tha marrëveshja që kemi është se do vini deri këtu dhe se nuk mund të shkoni dot më tej.  Tani gjasme po bën ndryshime ligjore. Thelbi është kontrolli i SPAK. Por a ka kurojë të thërrasë Ramën dhe ta marrë si të pandehur bashkë me Ballukun?

Sepse krimi që është bërë është i qartë. SPAK me këtë dobësi e çon topin te Kushtetuesja… Kushtetuesja me dobësinë e vet e çon te SPAK. Por Rama po bën lojën e tij për krimet që bën dhe nga ana tjetër e shet sikur po bën reformë. syri.net

Berisha: 20 shkurti është një thirrje për rininë shqiptare, lini shkollat e çdo gjë dhe mbushni sheshin

Gjatë fjalës së mbajtur në ‘Foltoren’ para kryeministrisë, Berisha deklaroi se të rinjtë duhet që të lënë shkollat dhe çdo gjë tjetër e të mbushin sheshin dhe t’i bashkohen revoltës kundër qeverisë.

 

TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike, u ka bërë thirrje të rinjve që të marrin pjesë në protestat kundër qeverisë. Gjatë fjalës së mbajtur në ‘Foltoren’ para kryeministrisë, Berisha deklaroi se të rinjtë duhet që të lënë shkollat dhe çdo gjë tjetër e të mbushin sheshin dhe t’i bashkohen revoltës kundër qeverisë.

‘Miq, 20 shkurti është dita e krenarisë tonë. Dhe shkojmë më 20 shkurt më krenarë se asnjëherë. Shkojmë më 20 shkurt kur ne u faktuam shqiptarëve dhe njerëzve liridashës në mbarë botën se ne nuk pajtohemi kurrë me një organizatë kriminale që kemi në krye. Shkojmë më 20 shkurt në një kohë kur ne kemi marrë, të betuar, përsipër misionin e shpëtimit të Shqipërisë. Ne shkojmë me 20 shkurt me një trashëgimi kur kemi kaluar mbi tanke, autoblinda dhe kemi zvarritur rrugëve të Tiranës kultin më të lig dhe më të keq, kultin e Enver Hoxhës që shqiptarët kanë njohur në histori. Ndaj dhe ftoj çdo shqiptar më 20 shkurt në Tiranë, më 20 shkurt në ora 6, Tirana e tëra derdhet në rrugët dhe bulevardet e saj. Shqipëria në Tiranë, t’i dalim zot Shqipërisë, t’i kapim goditjet e merituara regjimit antishqiptar të Edi Ramës.

T’ia nxijmë çdo ditë gjer në largimin e tij. Ne me asgjë nuk ndalemi. Ne jemi njerëz të besojmë të vërtetën. Ne jemi njerëz të idealeve të ndershme. Ne jemi njerëz që duam këtë vend të jetë toka e bekuar e shqiptarëve. Këta janë armiq pushtuesit më të egër që kemi njohur. Nuk na lidh asgjë me këta. Këta kanë kryer krime të shëmtuara për të cilat duhet të shkojnë atje ku mbahen kriminelët dhe fajtorët. 20 shkurti është një thirrje për rininë shqiptare, nuk ka fat më të madh, nuk ka shans më të madh për një të ri se në rininë e tij të hidhet në betejë kundër të keqes më të madhe të kombit të tij. Ndaj dhe i lini shkollat, lini çdo gjë, mbushni sheshin, të jetë Tirana juaj, e ardhmja juaj, Shqipëria në zemër, në besimin, në shpresën tuaj. Edhe njëherë, mirënjohje të pakufishme për misionin që po kryeni, për sukseset që kemi arritur, dhe u garantoj se forcë në botë nuk na ndalon pa përmbysur këtë mision që kemi nisur. Rrofshi ju, rroftë Shqipëria,’ tha Berisha./Dosja.al

Sali Berisha: Thuaju mercenarëve të mos qëllojnë mbi protestuesit se ata do të qëllojnë vetëm mbi ty

 Berisha i përgjigjet sërish Ramës: Thuaju mercenarëve të mos qëllojnë mbi protestuesit se ata do të qëllojnë vetëm mbi ty

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, iu përgjigj sërish deklaratës së kryeministrit Edi Rama lidhur me protestën e opozitës më 10 shkurt.

Rama tha se “mercenarët u paguan për të hedhur molotovë”, ndërsa Berisha iu drejtua “thuaju mercenarëve të mos qëllojnë mbi protestuesit se protestuesit do qëllojnë vetëm mbi ty”.

“Sot, Edi Rama, pasi në Bruksel i nxorën kartonin e zi, jo të kuq, të zi, pasi në Mynih ia përplasën derën tek fytyra dhe nuk shkoi dot, vendosi përsëri të ndryshojë ligjin, të votojë ligjin në parlament, me të cilin ai beson se do mund të vjedhë shqiptarët, ai dhe ministrat e tij, dhe drejtësia nuk do mund të veprojë mbi ta. Do veprojë populli mbi ta. Nuk ka gjë në botë të pengojë popullin shqiptar, opozitën shqiptare pa mbrojtur ligjin dhe Kushtetutën. Edi Rama, yt atë, xhelati Kristaq Rama, daja yt, xhelati Spiro Koleka, 35 vite më parë bënin thirrje, tankeve studentëve. Kurse ti pas 35 viteve, përdor mandatet e krimit si mburojë për të vjedhur shqiptarët. Ata e bënin për pushtetin e tyre të krimit, ti e bën për pushtetin tënd të krimit. Ata i përmbysëm, ty do të përmbysim. Ata i zvarritëm, ty do të zvarrisim. Po miq, ky mendon se mund të përvetësojë taksat tuaja, ky mendon se mund të përvetësojë pasuritë publike. Ky mendon se do zbrazë Shqipërinë nga të rinjtë, se do të shkretojë Shqipërinë përfundimisht për parajsën e tij. Edi Rama, i ke hesapet gabim, ke vjedhur shumë, por të garantoj ty dhe ministrat tu, se çdo pasuri që keni vënë, do t’u merret dhe për hundësh do u dalë. Në vite burgu do u kthehen. Nuk ka më, ne jemi në shesh, ne jemi në rrugë, ne jemi në kryengritje paqësore, ne i dalim zot Shqipërisë, asnjë forcë në botë nuk na ndalon dot. Duhet të përshëndes këtu Ilirin, të cilin snajper kriminel e gjuajti në ballë, dhe do e gjejmë atë, se po filmonte në protestë me telefonin e tij.
Përshëndes protestuesit e tjerë që morën plumba në kokë për protestën e tyre paqësore“-tha Berisha.

Sipas Berishës, protesta është paqësore.

“Unë i them Edi Ramës, kjo është kryengritje paqësore dhe kjo është zgjedhje, se në fakt ti meriton çdo variant. Pa diskutim. Ti nuk ke legjitimitet. Ti je i paligjshëm, ti je një armik i egër dhe ne mund të jepnim ty çdo përgjigje. Kryengritja paqësore është zgjidhja jonë, se atë duam ne, jo se na e imponon ti. Por mos gabo se për çdo krim, për çdo cenim që do u bëhet protestuesve, personalisht do ketë vetëm një përgjegjës dhe ky do jetë Edvin Kristaq Rama. Ky do jetë kryehajduti i Shqipërisë. Ndaj dhe u thuaj atyre mercenarëve të mos qëllojnë mbi protestuesit se protestuesit do qëllojnë vetëm mbi ty. Ti do jesh përgjegjësi numër një i çdo krimi të kryer”.

Genc Burimi: Rama mendon se me këtë ndryshim ligjor, nëse ai vetë vihet nën hetim, t’ia vështirësojë punën drejtësisë

Analisti Genc Burimi ka komentuar nismën e Partia Socialiste për ndryshime në Kodin e Procedurës Penale lidhur me çështjen e pezullimeve nga detyra, duke e cilësuar atë si një lëvizje që synon t’i vështirësojë punën drejtësisë. Në një komunikim me News24, Burimi u ndal te iniciativa e kryeministrit Edi Rama për të korrigjuar nenin 222 të Kodit të Procedurës Penale, duke argumentuar se ndryshimi synon të parandalojë pezullimin e tij apo të anëtarëve të qeverisë nga detyra.

 

“Kur u arrestua Tahiri nuk pati nevojë për nenin 222. As kur u kërkua arrestimi i Ahmetajt dhe as kur u arrestua Berisha. Rama mendon se duke bërë këtë ndryshim, nëse vihet vetë nën hetim, do t’ia vështirësojë punën drejtësisë”, u shpreh ai. Sipas Burimit, drejtësia ka dy kanale veprimi: një përmes Parlamentit, që është kërkesa për heqjen e imunitetit dhe më pas vendosja e masave kufizuese, dhe një të dytë, më të rrallë, përmes pezullimit nga funksionet qeveritare sipas nenit 220 të Kodit të Procedurës Penale, si në rastin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

 

Ai theksoi se ky mekanizëm i dytë ishte një avantazh për Prokurorinë, që sipas tij po mbyllet nga ndryshimet e propozuara. “Rama po tregon muskujt në erë. Mund të bëjë ç’të dojë, por e kam me drejtësinë”, deklaroi Burimi.

Analisti krahasoi situatën me Italinë, ku sipas tij gjyqësori po reagon ndaj reformës në drejtësi të ndërmarrë nga kryeministrja Giorgia Meloni, ndërsa në Shqipëri, sipas tij, drejtësia po hesht. “Kjo drejtësi nuk po flet dhe kjo më habit. Ngricë është heshtja e drejtësisë. Ose po mbyllet tuneli i parë dhe po pret të dytin, rrugën e heqjes së imunitetit në Parlament. Ndryshimet që po bën Rama nuk më shqetësojnë, po pres drejtësinë”, përfundoi ai.

Burimi: Rama po korrigjon atë nenin 222 të Procedurës Penale për të thënë se nuk mund të pezullohet ai dhe as ata. Ku është problemi? Kur u arrestua Tahiri, a pati nevojë për nenin 222? Kur u kërkua arrestimi i Ahmetajt, a pati nevojë për këtë nen? As kur u arrestua Berisha. Ai mendon se duke bërë këtë, nëse ai vetë vihet nën hetim, t’ia vështirësojë punën drejtësisë. Drejtësia paska dy kanale veprimi: një përmes Parlamentit, kryesori, që është kërkesa për heqjen e imunitetit dhe më pas vendosja e masave kufizuese. Ky kanal është përdorur 3–4 herë.

Kanali i dytë, më i rrallë, është ai për zonjën Balluku: pezullimi nga funksionet qeveritare përmes nenit 220 të Kodit të Procedurës Penale. Ky ishte një avantazh për Prokurorinë, që po e mbyll Rama. Zonja Balluku në një moment do të dorëzohet. Ai është në luftë ndërkombëtare me ndërkombëtarët. Shumë luftë për asgjë. Rama po tregon muskujt në erë. Ai mund të bëjë ç’të dojë, por unë e kam me drejtësinë. Në Itali, gjyqësori po flet për reformën në drejtësi që po bën Meloni. Por drejtësia jonë nuk po flet. Kjo do të thotë se është ende në varësi. Çfarë i mungon sot? Kjo drejtësi nuk po flet dhe kjo më habit. “Bebja” s’po qan. Ngricë është heshtja e drejtësisë. Ose po mbyllet tuneli i parë dhe po pret të dytin, rrugën e heqjes së imunitetit në Parlament. Ndryshimet që po bën Rama nuk më shqetësojnë, po pres drejtësinë.

Berisha: 20 shkurti do jetë kryengritja paqësore më e fuqishme që ka njohur Shqipëria që nga përmbysja e shtatores së Enver Hoxhës

“*Zoti Berisha, së shpejti në parlament do të mbërrijë një projektligj për amnistinë penale. Edhe pse mazhoranca i ka votat e nevojshme, cili do jetë qëndrimi i deputetëve të opozitës?*

Sali Berisha: Qëndrimi i deputetëve të opozitës është i qartë, absolutisht asnjë person i dënuar për korrupsion nuk mund të përfitojë nga amnistia penale.
Asnjë punonjës i kësaj administrate, i dënuar për lidhje me krimin, nuk mund të përfitojë.
Këto janë.
Përndryshe, amnistitë për personat e tjerë, janë një rutinë e pëvitshme që bëhet zakonisht në prag të vitit të ri, por këta kushedi pse…
Ky është qëndrimi ynë. Ne nuk pranojmë të amnistohet asnjë njeri i dënuar për korrupsion.

*Zoti Berisha, ju na prezantuat një libër ditëm e sotme. Ndoshta SPAK u thërret dhe ju pyet për financimin. A jeni të gatshëm të jepni shpjegime?*

Sali Berisha: Mirë që e the këtë, sa bukur. Çfarë bëjnë këta tani? Thërrasin njerëz dhe i pyesin, ku i mori naftën Sali Berisha kur bëri foltoren. Absolute kjo që po u them.
Se kjo ka lidhje me dosjen Partizani. Ish-xhelati i Sigurimit të Shtetit, Arben Kraja dhe Altin Troplini, kanë futur në hetim naftën që ka përdorur Sali Berisha deputet për të bërë foltoren.
Dhe mund t’u them shumë raste të tjera.
Kanë thirrur Ledina Aliollin, të cilin në vitin 2023 e kanë pyetur se nga i more ti paratë e stilolapsave që bleve për fushatë.
E kuptoni apo jo?
E kuptoni se çfarë bëjnë këta?

*Por në fakt zoti Berisha, është detyrë funksionale e SPAK të hetojë pasurinë e zyrtarëve të lartë? Pse relativizohet kjo gjë?*

*Sali Berisha:* Po, sepse ata kanë bërë një veting 32-vjeçar, jam i vetmi person, e thashë edhe njëherë, kanë kërkaur hetimin e mbesave të mia, katër vite pa lindur ato.
Pra, absolutisht asnjë objeksion për hetimin e pasurive, por e kanë hetuar, e kanë stërhetuar dhe kanë gjetur zero shkelje ligjore.
Familjarët e mi nuk kanë përfituar kurrë nga fondet publike.
Kanë gjetur se është zbatuar ligji dhe vetëm ligji.
Dhe kanë gjetur gjithsej në 54 vite punë si mjek dhe në politikë bashkë me bashkëshorten, 100 mijë euro dhe një apartament 45 metër më të madh se sa ishte.

*Zoti Berisha, për t’u rikthyer edhe njëherë pyetjes së parë. A do e votojë opozita ndryshimin e nenit 242 të Kodit të Procedurës penale që propozon qeveria?*

*Sali Berisha:* Kurrën e kurrës. Ai është nen që prek të ardhmen e çdo shqiptari.
Ai është nen që dënon çdo qytetar shqiptar me mbylljen e dyerve të integrimit.
Ne jo vetëm që nuk do e votojmë, por do e kundërshtojmë atë në mënyrën më të fuqishme.
Dhe 20 shkurti do jetë dita e kryengritjes së madhe kundër korrupsionit. Do jetë dita e kryengritjes së madhe kundër narkodiktatorit, kundër organizatës kriminale dhe kreut të saj.
Ju ftoj të gjithë me 20 shkurt në kryengritjen paqësore më të fuqishme që ka njohur Shqipëria që nga përmbysja e shtatores së Enver Hoxhës gjer sot.”, tha Berisha./Dosja.al

Banorët që preken nga projekti “TID Durrës” kundërshtojnë propozimet e kryeministrit Rama: Ja tri kërkesat tona! Do të përshkallëzojmë protestën nëse nuk realizohen

Banorët e prekur nga projekti “TID Durrës” kanë dalë me një deklaratë publike pas një takimi me Kryeministrin Edi Rama dhe përfaqësues të Bashkia Durrës, duke shprehur kundërshtimin e tyre ndaj mënyrës së zbatimit të projektit dhe propozimeve të ofruara.


Sipas banorëve, gjatë diskutimit është bërë e qartë se projekti do të realizohet pa ndryshime, ndërsa atyre u janë paraqitur tre mundësi, pranimi i një çmimi shpronësimi disi më të lartë, zhvendosja në zona periferike të përcaktuara nga institucionet ose akomodimi i të gjithë familjeve në një objekt të vetëm të përzgjedhur nga Bashkia.

Në reagimin e tyre, banorët theksojnë se e kundërshtojnë këtë qasje, duke pretenduar se projekti përmban mangësi dhe shkelje procedurale.

Nga ana e tyre banorët kërkojnë shtyrje të afateve ligjore të zbatimit të projektit, pezullim të shembjeve dhe shqyrtim të plotë ligjor të çdo rasti individual. Në të kundërt, ata paralajmërojnë për përshkallëzim të protestës dhe intensifikim të reagimit publik dhe institucional. gsh

Screenshot_7

“Dha dorëheqjen tri herë!”- Rama paralajmëron heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut

Kryeministri Edi Rama në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, ku u prezantua nisma që prek kodin e procedurës penale për mbrojtje të 7 institucioneve nga pezullimi i detyrës, tha se mandati i Belinda Ballukut do të trajtohet me përgjegjësi nga shumica qeverisëse.

 

Në fjalën e tij, kreu i qeverisë u shpreh se Belinda Balluku i ka paraqitur tre herë dorëheqjen, ndërsa theksoi se ndryshimet ligjore në kod nuk kanë lidhje rastin e Belinda Ballukut.

Kryeministri deklaroi se Parlamenti do të shprehet për imunitetin e Belinda Ballukut dhe më pas pas do të votohen ndryshimet ligjore.

Rama kishte edhe një mesazh drejtësinë: “Nuk duhet ti shkojë në mend askujt që me fuqinë e prokurorit dhe verbërinë e gjykatësit të marrë peng një funksion kushtetues”.

“Duke e mbyllur dua të them që nisma thjesht dhe vetëm adreson një…juristët e quajnë boshllëk, unë them një problem që nuk duhet të shfaqet më. Nuk duhet ti shkojë në mend askujt që me fuqinë e prokurorit dhe verbërinë e gjykatësit të marrë peng një funksion kushtetues.

Ndërsa rasti konkret është një proces në Kuvendin e Shqipërisë dhe do trajtohet me përgjegjësinë që ne kemi si shumicë qeverisëse. Kush i lidh këto të dyja edhe në aspektin kohor, nëse nuk gaboj në llogarinë e kohës, parlamenti do të shprehet më para për imunitetin dhe më pas do të kojë në votë ky ndryshim. Kështu që nuk ka lidhje me rastin konkret”, tha Rama.

Rama tha se nuk do ta pranojë dorëheqjen “deri kur të plotësohen kushtet”. Dhe kur të plotësohen kushtet, shtoi ai, “s’e përcakton dot as prokurori, as gjykatësi i seancës paraprake, as media dhe as gjyqi popullor.” Panorama

Pezullimi i ministrave- Rama dorëzon sot nismën ligjore! Mblidhet grupi parlamentar i PS-së, ja ndryshimet që priten

Ndryshimet ligjore mbajnë firmën e Edi Ramës, kreut të grupit të PS, Taulant Balla dhe të kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja. Pas diskutimit në grupin e PS, propozimi me ndryshimet ligjore për nenin 242 të Kodit të Procedurës Penale do të depozitohen në Kuvend.

TIRANË- Kryeministri Edi Rama do të mbledhë sot në orën 09:00 grupin parlamentar të Partisë Socialiste, ku do të prezantojë edhe ndryshimet e propozuara ligjore. Bëhet me dije se nisma synon kufizimin e kompetencës së gjykatave për pezullimin nga detyra të ministrave, apo postet e tjera kushtetuese.

Ndryshimet ligjore mbajnë firmën e Edi Ramës, kreut të grupit të PS, Taulant Balla dhe të kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja. Pas diskutimit në grupin e PS, propozimi me ndryshimet ligjore për nenin 242 të Kodit të Procedurës Penale do të depozitohen në Kuvend.

Partia Socialiste do të prekë nenin që aktualisht nuk lejon pezullimin nga detyra vetëm të deputetit apo kryebashkiakut. Në të, do të shtohen edhe Presidenti, Kryeministri, ministrat, Avokati i Popullit, Kreu i KLSH-së dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë./Dosja.al

“Rama po ndërhyn për të mbrojtur Ballukun”- Gazment Bardhi: Arrestimi i saj po zvarritet prej dy muajsh!

Deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se po përpiqet të pengojë drejtësinë në çështjen ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku.


Sipas Bardhit, ndryshimet ligjore të firmosura nga Rama në momentin kur Kuvendi duhet të shqyrtojë kërkesën për arrestimin e Ballukut, nuk kanë të bëjnë me ndonjë parim kushtetues, por përbëjnë ndërhyrje politike për të dobësuar hetimin.

Ai sqaron se pezullimi ndalon përkohësisht një individ nën hetim të ushtrojë funksionin, me qëllim mbrojtjen e procesit penal, ndërsa e cilëson si “deformim të qëllimshëm” pretendimin se me këtë masë pezullohet funksioni i qeverisë.

Bardhi shton se në vendet e BE-së dhe në SHBA, zyrtarët që përfshihen në hetime për korrupsion japin dorëheqjen, ndërsa sipas tij, në Shqipëri po tentohet ndryshimi i ligjit për të krijuar një “imunitet të ri për pushtetin”.

Postimi i Bardhit: 

Kur frika nga humbja e pushtetit bëhet parim; fotografitë ceremoniale as nuk krijojnë imunitet politik, as nuk zëvendësojnë ligjin.
Edi Rama po përpiqet ta shndërrojë një hetim penal ndaj Belinda Ballukut në një debat teorik për ndarjen e pushteteve. Por kjo nuk është çështje parimi. Është çështje frike.
Ligji është i qartë: pezullimi nga detyra është masë e parashikuar në Kod. Ai nuk shkarkon ministrin, nuk paralizon shtetin, nuk prek institucionin. Ndalon përkohësisht personin nën hetim të ushtrojë funksionin, për të mbrojtur procesin penal.
Të thuash se “pezullohet funksioni” është deformim i qëllimshëm. Gjykata nuk pezullon qeverinë. Pezullon një individ nga ushtrimi i detyrës.
Në BE dhe në SHBA, kur një zyrtar përfshihet në hetim për korrupsion, ai largohet. Jep dorëheqjen. Nuk ndryshon ligjin për të mbrojtur veten, siç po bën Edi Rama. Prandaj, firmosja prej tij e ndryshimit të ligjit pikërisht në momentin kur Parlamenti duhet të shqyrtojë kërkesën për arrest të Belinda Ballukut, nuk ka të bëjë me ndonjë parim kushtetues. Është ndërhyrje politike për të dobësuar hetimin dhe për të krijuar një imunitet të ri për pushtetin.
Por thelbi sot nuk është vetëm pezullimi. Thelbi është kërkesa për arrest e Belinda Ballukut, që ndodhet në Kuvend prej gati dy muajsh dhe trajtohet nga Edi Rama sikur nuk ekziston.
Përfaqësuesit e BE-së dhe SHBA-së kanë qenë të qartë: procedura duhet të vazhdojë pa vonesë. Këshilli i Mandateve duhet të mblidhet. Parlamenti duhet të votojë.
Respekti ndërkombëtar nuk fitohet me fotografi protokollare. Ai fitohet me respekt për shtetin ligjor.
Sepse nëse pengon drejtësinë në Tiranë, nuk të shpëton asnjë foto ceremoniale në Uashington. gsh

Gjyqtari Kalaja ka mbeshtetjen e te gjithe profesoratit penal – Kodi Penal i propozuar me fryme diktatoriale (i ngjashem me kodin penal komunist te 77′ Nga Enida N. Bozheku

Ai Kod Penal nuk e kalon pragun e BE

Nje reflektim mbi sulmin e pa drejte dhe aspak profesional te bere karshi Gjyqtarit Florian Kalaja nga Qeveria te lidhur me kritikat e drejta qe ai, i vetmi gjyqtar, ka shprehur hapur dhe me trimeri ne mbrojtje te se drejtes penale dhe funksionit te saj politiko-social, qe Qeveria po tenton te instrumentalizojë permes Kodit te ri Penal qe kerkon te miratoj dhe ndryshimeve totalisht absurde te aprovuara nga zegjinete kartongritese.

Keshtu, Kodi Penal i propozuar per diskutim nga “Ideatori Rakipi” dhe ndryshimet e fundit te kryera, te frymezuara nga drafti i Kodit Penal ne diskutim, jane totalisht represive, te papershtateshme dhe ne kundershtim te hapur me teorite penale pas 800′ e vazhdim, te cilat jane parime te konsoliduara qe vine qe prej shkolles se Pandentistikes gjermane (riperpunim i principeve evolutive pas revolucionit francez) dhe marrje hua te koncepteve penale te se drejtes romake, qe mandej zhvillohen deri ne ditet e sotme (lexo Beccaria, Mantovani, Vasalli, Antolisei, Savigny, Bekker etj.) .

Ai Kod Penal siç eshte aktualisht ne draftin e tij, dhe ndryshimet kriminalizuese te ndodhura rishtazi, eshte i dobet, kakofonik, i shkruar me nje leksik juridik tipik analfabetesh funksional, shkel parime te se drejtes penale dhe krijon konfuzion midis principeve qe ndodhen ne kodin penal dhe ate procedural penal.

Pjesa e pergjithshme e tij eshte totalisht ne kundërshtim me parimet e penales moderne dhe gjithe teorite e artikuluara ne keto 200 vite.

Pjesa e posaçme me fryme diktatoriale (i ngjashem me kodin penal komunist te 77′) eshte deri ne ate pike sa kriminalizon edhe principe qe kushtetuta i mbron si te drejta themelore te njeriut.

Ai Kod, nuk kalon pragun e BE, por mund te kenaqi ego pushteti personal.

(P.S. Gjyqtari Kalaja ka mbeshtetjen e te gjithe profesoratit penal te studiuar ne BE dhe avokateve po te studiuar dhe qe punojne ne BE. Me ne fund ngrihet zeri edhe nga profesonisti me i mire gjyqtar qe kemi te brezit te ri ne fushen penale).

 

“Është mesi i Tiranës dhe kjo nuk është sjellje qytetare”, Erion Braçe denoncon rrezikun që vjen nga depozitat në tarraca: Ditë e natë rrjedh uji, UKT të ndërhyjë!

 

Deputeti i PS, Erion Braçe, ka reaguar përmes një postimi në Instagram lidhur me shpërdorimin e ujit në zonën nga Libri Universitar deri tek Sheshi Willson, në qendër të Tiranës.

Në reagimin e tij, Braçe shprehet se është e papranueshme që në një kohë kur qytetarëve u kërkohet të kursejnë ujin dhe po kryhen ndërhyrje në rrjet për të shmangur humbjet, të ketë derdhje të vazhdueshme uji nga tarracat e një pallati, ditën dhe natën, për muaj me radhë.

Deputeti thekson se situata duhet të verifikohet menjëherë nga strukturat përgjegjëse dhe i bën thirrje Ujësjellës Kanalizime Tiranë të ndërhyjë për:

Ndërprerjen e menjëhershme të derdhjes së ujit;

Verifikimin e konsumit dhe faturimit real për subjektin në fjalë;

Marrjen e masave për të shmangur abuzime të tilla në të ardhmen.

“Është mesi i Tiranës dhe kjo nuk është sjellje qytetare,” – shprehet ai në postimin e tij, duke e cilësuar situatën si abuzive dhe të pajustifikueshme.

bw

 

Arkitekti i njohur Astrit Nixha dorëzon licensën/ Në Shqipëri nuk ka asnjë vlerë

Astrit Nixha, një nga emrat e shquar të arkitekturës shqiptare, me karrierë 30 vjeçare, i vlerësuar me disa çmime ndërkombëtare, drejtues mbi 20 vjet i studios Anarch në Prishtinë e Tiranë, ka ndërmarrë së fundmi një akt të rrallë për një shoqëri si kjo e jona. Karshi një fenomeni më shumë se poshtërues për arkitektët shqiptarë, të cilët janë përjashtuar de facto nga e drejta për të konkurruar për projekte të të rëndësishme arkitekturore, në një realitet ku në 10 vitet e fundit gati 100 përqind e ndërtesave publike e atyre private (me një ligj të pashkruar asnjë investitor nuk merr dot leje ndërtimi nëse për projektin arkitekturor nuk ka paguar një studio të përcaktuar nga Edi Rama personalisht), Astrit Nixha ka vendosur të dorëzojë licensën e tij të arkitektit si një akt dinjiteti dhe përgjegjësie profesionale e shoqërore.

“Është refuzim i rolit të rremë brenda një shfaqjeje që vazhdon prej vitesh: shfaqja ku politika luan rolin e arkitektit, ekonomia luan rolin e urbanistit, kurse arkitekti shtyhet në fund si “vizatues”… Unë nuk e kam luksin të ndryshoj shoqërinë vetëm; askush nuk e ka. Por kam detyrimin të mos e mashtroj veten, të mos bëj sikur jam arkitekt në një sistem ku arkitekti trajtohet vetëm si dorë teknike”. shkruan Nixha.

Në një kohë kur jo vetëm arkitektët, por edhe pedagogët, mjekët, akademikët kanë ulur kokën dhe i janë nënshtruar një realiteti poshtërues ndaj profesioneve të tyre, akti publik i Astrit Nixhës është një nga ato shembuj të harruar të intelektualit të angazhuar. Një shembull që më shumë se dinjitetin e një profesionisti, nxjerr zbuluar tredhjen e një shoqërie të tërë.

Më poshtë shkrimi i plotë i Astrit Nixhës për Lapsi.al. 

Nga Astrit Nixha 

Diku, në një nga ato vitet e turbullta të Luftës së Dytë Botërore, pas kapitullimit të Italisë, gjermanët hynë në një qytet të Shqipërisë së asaj kohe. Skenë klasike: ushtarë të armatosur, njerëz të rreshtuar, frikë, mjegull. Komandanti urdhëron t’i mbledhin të gjithë meshkujt dhe t’i ndajnë sipas kombësisë. Por nuk kishte burgje; komandanti urdhëroi të përdoren fuçi të mëdha druri të verarisë në periferi.

Hebrenjtë, tha kapiteni, i vumë në këtë fuçi.

-Mbyllini me kapak dhe gozhdojeni që mos të ikin,- urdhëroi komandanti.

Serbët, i kemi në tjetrën.

-Edhe këta, mbyllini me kapak dhe gozhdojeni.

Kroatët, po ashtu. Edhe këta me kapak e gozhdë.

-Po këta, në fuçinë e fundit?- pyeti komandanti.

-Këta janë shqiptarë,- iu përgjigj kapiteni.

Komandanti buzëqeshi lehtë:

-Këta lërini pa kapak. Këta i dënon koha. Edhe nëse don ndonjëri të dalë, të tjerët s’e lënë.

Vrazhdësia e batutës është therrëse, por trishtueshëm funksionale si metaforë. Se, në vend se ta rrëzojmë kapakun bashkë, ne merremi me atë që po ngjitet te buza e fuçisë: “Ku po shkon ky? Kush i dha të drejtë Pse jo unë? Pse jo shoku im?”. E ndërkohë koha bën të vetën: dënon, rëndon, zhyt…

Për këtë vit kam marrë një vendim të thjeshtë, por të rëndë: Nuk rri më me njerëz të cilëve kush nuk iu thotë “puna e mbarë”- dhe, po ashtu, nuk rri me ata që kujt s’i thonë “puna e mbarë”. Ata të parët nuk janë duke bërë punë; janë parazitë që jetojnë si ushujëza, duke u kapur pas trupit të të tjerëve. Të dytët janë njerëz që nuk e durojnë punën e tjetrit: nuk e njohin, nuk e respektojnë, por kanë gjithmonë kohë ta shajnë dhe perbuzin.

Këta janë njerëz që nuk prodhojnë, por komentojnë; nuk ndërtojnë, por rrëzojnë me fjalë. Nuk kanë ekspertizë, por kanë mendim për gjithçka; nuk kanë projekt, por kanë paragjykim për çdo projekt.

Kur mashtruesi bëhet normë morale

Në shoqërinë tonë është instaluar, hap pas hapi, niveli moral i mashtruesit. Nuk është më përjashtim; është bërë normë. Për ta zbutur fjalën “hajni” apo “mashtrim”, kemi shpikur termin “keqpërdorim”. Keqpërdorim i detyrës, keqpërdorim i fondeve, keqpërdorim kompetencash… Sikur fjala të ishte më e butë, edhe krimi të ishte më i lehtë.

Pikërisht për këtë, në këtë tekst po përdor një fjalë të re: hamakeq. Është një akronim që i mbledh në një fjalë të vetme tri sjellje të ndryshme, por me të njëjtin themel moral: HA- hajninë, MA- mashtrimin dhe KEQ- keqpërdorimin. Pra, kur them “hamakeq”, e kam fjalën për atë profil njeriu që vjedh, mashtron dhe keqpërdor në çfarëdo mase dhe niveli.

Por në thelb, nuk ka dallim të madh moral mes atij që “hamakeq” 1 euro dhe atij që “hamakeq” 100.000 euro. I pari nuk ka qasje, i dyti ka mundësi. Tipari moral është i njëjtë; vetëm shuma ndryshon. Nëse nesër ai që sot ka në dorë 100 milionë do të mbetej pa fuqi, do të ishte i njëjti njeri që hamakeq 1 euro në pazar. Karakteri nuk ndryshon; vetëm skena ndryshon.

Në mendje shfaqen fytyrat që në Shqipëri u thonë të “kuruara”, të atyre që sot janë në pozita- me kravatë dhe podium- e në një realitet tjetër do të ishin thjesht vjedhës xhepash në pazar. Dallimi është vetëm në veshje; jo në moral.

Politika si strehë e të padiplomuarve/ paditurve
Le të pyesim veten: si fitohet pozita në shoqërinë shqiptare? Pyet dikë në rrugë të përmendë pesë akademikë të Akademisë së Shkencave dhe Arteve; pesë arkitektë shqiptarë; pesë kompozitorë, pesë inxhinierë, pesë shkencëtarë. Shumica do të ngurrojnë. Por po t’u kërkosh pesë politikanë, do të të pyesin: “Nga cila parti…?”

Pozita në shoqërinë tonë nuk vjen nga vlera profesionale, as nga përgjegjësia, as nga licenca. Vjen nga partia. Rrjedhimisht, ata që e mbajnë pushtetin politik, mbajnë automatikisht në dorë edhe statusin social, edhe të ardhmen e profesionistëve: mjekëve, inxhinierëve, arkitektëve, artistëve. Dhe pikërisht këtu lind paradoksi:

-Për t’u bërë mjek duhen vite studimesh, specializime, prova, licencë.

-Për t’u bërë arkitekt apo inxhinier duhen vite studimi, punë, eksperiencë, licencë profesionale.

– Për të drejtuar një automjet duhen teste teorike dhe praktike.

Por për të “timonuar” një shtet, një qytet, një ekonomi, një territor, nuk kërkohet as shkollim i detyrueshëm, as eksperiencë profesionale, as licencë etike. Politikanët vetëquhen profesionistë, por nuk i nënshtrohen asnjë tregu profesional dhe asnjë standardi minimal. Kjo e kthen politikën në strehë të atyre që nuk ia dolën në profesione të tjera- e shpesh në vend ku grumbullohen dështakët e fushave të ndryshme, por me oreks të madh për pushtet.

Arkitekti shqiptar, nga autor në vizatues

Në këtë realitet, arkitekti shqiptar ka humbur gradualisht rolin e tij natyror në shoqëri. Arkitekti nuk është thjesht dikush që “vizaton ndërtesa”; ai është profesionisti që lexon nevojat e shoqërisë dhe i përkthen ato në hapësira të banueshme, në qytete të shëndetshme, në vende ku jeta ka dinjitet. Arkitektura nuk është vetëm formë; është moral i ndërtuar në beton, qelq dhe dritë.

Por në shoqërinë tonë, politika ka hyrë aq thellë në çdo pore, sa edhe këtë profesion e ka kthyer në diçka tjetër: arkitektin e licencuar shqiptar, me vite studimi e përvoje, me përgjegjësi ligjore mbi kokë, po e shndërron në vizatues për llogari të të tjerëve.

Po marr shkas nga vizita e 80 arkitektëve në Zvërnec për investime. Për ata që nuk i njohin detajet: mënyra se si janë ndërtuar marrëdhëniet i redukton arkitektët e licencuar shqiptarë në nënshkrues të projekteve të vizatuara e konceptuara diku tjetër. Për ta thënë më troç: është sikur t’i japësh një piktori shqiptar skicat e Salvador Dalít dhe t’i thuash: “Ngjyrosi, por ke përgjegjësi penale nëse del jashtë vijave”.

Jo, nuk po them që jemi më të mirë se të tjerët, as që kemi monopolin e talentit; por kemi të drejtë të mos jemi të përbuzur, të mos vendosemi në fund të vargut, të mos trajtohemi si teknikë që vetëm vënë firmën. Arkitekti vendas nuk mund të jetë spektator në territorin e vet me taksa te veta.

Fuçia shqiptare dhe dorëzimi i licencës

Kthehem te fuçia e shqiptarëve pa kapak. Në vend që ta shohim si anekdotë për të qeshur me veten, duhet ta lexojmë si aktakuzë: jemi të prirur ta tërheqim poshtë atë që tenton të dalë. E bëjmë këtë edhe me profesionet. Arkitekti që flet për cilësi hapësinore quhet “snob”. Ai që flet për trashëgimi kulturore quhet “i papunë”. Ai që kundërshton një ndërhyrje brutale mbi qytetin etiketohet si “pengues i zhvillimit”.

Në këtë klimë, në këtë fuçi kombëtare pa kapak, roli i arkitektit është bërë pothuaj i pakuptueshëm për publikun. Shumëkush sheh vetëm fasadën e ndërtesës, por jo procesin, konfliktin, përgjegjësinë. Askush nuk pyet kush e nënshkruan moralin e asaj që po ndërtojmë. Përballë kësaj, vendimi im është personal, por besoj se flet për një gjendje kolektive.

Mbas gjithë kësaj, solemnisht po ia dorëzoj mbrapsht shtetit shqiptar:

• Licencën A.0951/1 – në projektim, dhe

• Licencën MK.3867 – për mbikëqyrje dhe kolaudim të punimeve të zbatimit.

Nuk jam vizatues. Nuk jam dikush që ngjyros skicat e tjetrit, duke mbajtur mbi vete gjithë përgjegjësinë ligjore e morale. Nuk jam i gatshëm të pranoj një rol ku arkitekti vendas është vetëm firmëtar formal i projekteve të importuara, ndërsa politika negocion interesat pa përfshirë profesionistët e vendit.

Ky akt nuk është teatër. Është refuzim i rolit të rremë brenda një shfaqjeje që vazhdon prej vitesh: shfaqja ku politika luan rolin e arkitektit, ekonomia luan rolin e urbanistit, kurse arkitekti shtyhet në fund si “vizatues”.

Roli i arkitektit që duam dhe shoqëria që kemi

Shoqëria shqiptare ka nevojë për arkitektë që mendojnë, jo vetëm që vizatojnë. Ka nevojë për profesionistë që pyesin:  Çfarë qyteti po u lëmë fëmijëve tanë? Si do të jetë jeta mes këtyre ndërtesave pas 30 vitesh? A po ndërtojmë veç për sot, apo edhe për nesër?

Por për t’i pasur këta arkitektë, shoqëria duhet t’i njohë dhe t’i respektojë si të tillë. Duhet ta kuptojë që arkitekti nuk është dekor; është një nga filtërat kryesorë mes pushtetit, kapitalit dhe jetës së përditshme të qytetarit. Nëse ky filtër shndërrohet në vizatues, kush e mbron qytetin?

Unë nuk e kam luksin të ndryshoj shoqërinë vetëm; askush nuk e ka. Por kam detyrimin të mos e mashtroj veten, të mos bëj sikur jam arkitekt në një sistem ku arkitekti trajtohet vetëm si dorë teknike. Prandaj, ky është akt personal kundërshtimi: jo kundër profesionit tim, por kundër mënyrës si po trajtohet ai.

Në fund të ditës, roli ynë si arkitektë nuk matet me numrin e ndërtesave që kemi vizatuar, por me cilësinë e jetës që ato ndërtesa prodhojnë.

Dhe për këtë, duhet së pari të dalim nga fuçia. Ose të paktën të refuzojmë të jemi ata që tërheqin poshtë të tjerët. ©lapsi.al

Astrit Nixha është arkitekt dhe menaxher projektesh me përvojë mbi tri dekada në Kosovë, Shqipëri dhe jashtë vendit. I diplomuar në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës në Universitetin e Prishtinës, ai ka qenë themelues dhe drejtues i disa zyrave të arkitekturës, mes tyre “anarch”, ku ka punuar si projektues kryesor dhe menaxher i projekteve të mëdha publike, kulturore, komerciale e rezidenciale.

Iu rrezikua jeta gjatë protestës së opozitës, rrëfehet operatori Aldo Kashri i News24: Protestuesit më ndihmuan!

“Vrapoja për të fikur zjarrin” – Iu rrezikua jeta gjatë protestës së opozitës, rrëfehet operatori i News24: Protestuesit më ndihmuan! Njëri prej tyre hyri mes flakëve për të marrë kamerën

Operatori i News24, Aldo Kashri ka rrëfyer momentet që përjetoi gjatë protestës së opozitës më 10 shkurt, për shkak se mori flakë nga shpërthimi i bombave molotov që u përdorën nga protestuest para godinës së parlamentit.


Në një intervistë për emisionin “Kjo javë”, ai tha se ditën e protestës, ishte si herët e tjera mbi makinën e direktes për të filmuar protestën. Në momentin që disa protestues po iu hidhnin efektivëve molotovët, një prej tyre ra mbi makinë dhe për pasojë mori flakë bashkë me të.

Ai tregoi se gjëja e parë që ka bërë ka hequr xhupin që i kishte marrë flakë ndërsa shtoi se disa protestues i kishin ardhur në ndihmë bashkë me makinën e ujit të policisë për të shuar flakët.

Madje, shtoi ai, një prej protestuesve kishte hyrë mes flakëve dhe kishte marrë kamerën me të cilën po filmonte.

“Ditën e protestës isha si herët e tjera mbi makinën e direktes, live-t, duke filmuar protestën e opozitës. Në momentin që disa protestues po godisnin policinë me molotovë dhe fishekzjarre, policia iu kundërpërgjigj me gaz lotsjellës. Ata hedhin çantat që kishin me molotovë dhe nuk e di si ndezën me njëra-tjetrën dhe filloi një shpërthim i pakontrolluar dhe një nga molotovët ra sipër makinës së direktes dhe makina mori flakë, bashkë me mua.

Kam zbritur për inerci nga makina dhe protestuesit më ndihmuan të fik zjarrin bashkë me makinë e ujit të policisë. Dhe makina u përfshi nga flakët bashkë me pajisjet. Por një protestues sypatrembur shkoi mes flakëve për të marrë kamerën. Ajo ca mendova në fillim ishte heqja e xhupit që kishte marrë flakë, vrapoja për të fikur zjarrin.

Ishte një eksperiencë që s’do e kisha përjetuar kurrë. Ne operatorët jemi syri i shikuesve që na ndjekin, ky është profesioni ynë. Vështirësitë e terrenit janë nga më të ndryshmet, dhe nuk e dimë çfarë na ndodh.”, u shpreh ai./GSH

SPAK kërkon arrestimin e Ballukut, javën e ardhshme mblidhet Këshilli i Mandateve për shqyrtimin e imunitetit të zv/kryeministres

Kreu i Kuvendit, Niko Peleshi, pritet të publikojë të hënën urdhrin për thirrjen e mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin.

Burime për News24, bëjnë me dije se, në urdhër do të përcaktohet data dhe ora kur do të zhvillohet mbledhja e Këshillit, ku pritet të diskutohen çështjet në rendin e ditës që lidhen me kompetencat e këtij organi parlamentar.

Anëtarët e Këshillit mblidhen një javë pasi Gjykata Kushtetuese  rrwzoi kwrkeswn e qeverisë për pezullimin e masws së GJKKO qw shkarkoi nga funksionet publike, zv/kryeministren Belinda Balluku.

Mbetet për t’u parë nëse Këshilli i Mandateve drejtuar nga Niko Peleshi do të marrë në shqyrtim kërkesën e Prokurorisë së Posaçme.

“O hajdut pronash, o maskara”/ Rama përplaset me banorët në Durrës: Banesat do prishen, ju jeni PD!

Pas rreth dy orësh mbledhje në bashki me banorët që banesat e tyre preket nga projekti TID, Kryeministri Rama ka deklaruar se pati një bisedë konstruktive, por sqaroi se projekti do të shkojë para dhe nuk do të ndalet.

Ndërkohë në ambientet e jashtme të bashkisë, Rama u prit thirrje protestuese nga disa qytetarë, që pretendojnë se preken po ashtu nga ky projekt.

“O hajdut, o maskara”, iu drejtuan ata ndërsa Rama u tha se ata s’kanë lidhje, dhe se janë “PD”, duke nënkuptuar se janë të nxitur politikisht për të qenë aty.

Çfarë qytetarësh, ju jeni partia demokratike, këta janë qytetarët, unë ja ku jam me ta. Ju jeni PD. Unë me këta jam… “, tha Rama duke iu drejtuar atyre.

Rama: Me 34 qytetarë të Durrësit, përfaqësues të familjeve që kanë këtë problematikë kemi folur rreth dy orë e gjysmë, ata e kanë hallin dhe me ta kemi folur, një bisedë konstruktive me opinione të ndryshme, ndërkohë që 35 të tjerë atje që nuk përfaqësojnë as qytetin por hallin e një 80 e kusur vjeçari të rrjedhur nga çdo lloj rruge e arsyes, krijojnë situata qesharake dhe tregojnë se ku është katandisur ajo farë partie.

Sa i përket problemit të vërtetë të qytetarëve kemi rënë dakord si do shkojmë përpara qoftë me atë verifikim të nevojshëm për disa objekte që mund të kenë vlera kulturore, qoftë për dëmshpërblimin.

Momenti kur Rama përplaset me banorët në Durrës:

Do ketë prishje, projekti nuk do ndalet, por do bëjmë verifikime për disa shtëpi që janë trashëgimi kulturore të pretenduara, dhe një grip shtëpish që nuk kanë marrë regjistrim në hipotekë pavarësisht se janë aty prej shumë vitesh. Kemi diskutuar atje brenda edhe çështjen e çmimit dhe do duhet të shohim referencat e reja.

Projekti TID është një nismë e qeverisë shqiptare që synon të kthejë zonën arkeologjike të qytetit në një park të madh urban.

Bashkia e Durrësit ka lajmëruar se më 16 shkurt duhet të largohen vullnetarisht nga banesa për të vijuar me realizimin e Projektit TID.

Incidenti në protestën e 10 shkurtit- Berisha: Molotovin te operatori i News24 e hodhi policia, kjo është e faktuar

Kryetari i PD, Sali Berisha, i është përgjigjur pyetjeve të komentuesve në një bashkëbisedim në rrjetin social facebook, ku ndër të tjera u pyet për incidentin me operatorin e News24, Aldo Kashri i cili rrezikoi të digjej nga molotovët e përdorur gjatë protestës së 10 shkurtit të opozitës.

Berisha akuzpo policinë se ishte ajo që hodhi molotovët drejt kameramanit.

“Kameramani ka thënë më ka ardhur nga policia lënda piroteknike dhe kjo është e faktuar. Është bindja ime që do të jetë protestë paqësore se jam i sigurt që do të jetë rruga e fitores”, tha Berisha.

Sali Berisha: Policia hodhi lëndën piroteknike drejt kameramanit të News24. Dhe, Sokol Balla që hiqet i divorcuar, politikisht rri i martuar me Belindën, çon mediat para Gjykatës për të protestuar se u gjuajt kameramani. Kameramani ka thënë më ka ardhur nga policia lënda piroteknike dhe kjo është e faktuar. Është bindja ime që do të jetë protestë paqësore se jam i sigurt që do të jetë rruga e fitores. bw

Arsimi i lartë në udhëkryq, universitete pa cilësi dhe të diplomuar pa punë Nga Blerina Hoxha

Universitetet po rezultojnë hallka më e dobët e sistemit arsimor në vend. Rënia e numrit të studentëve dhe rritja e fondeve nuk po shoqërohet me rritje të cilësisë, teksa hendeku ndërmjet nevojave të tregut të punës dhe programeve të studimit po zgjerohet, në vend që të ngushtohet.

Tani kur teknologjia po formëson të gjithë aktivitetin jetësor kudo në botë, universitetet shqiptare nuk janë të gjendje të zhvillojnë bazat më të thjeshta të kërkimit as në nivel pedagogësh, teksa aftësitë digjitale të një pjese të stafit dhe studentëve mbeten të kufizuara.

Ndërmjet 2016-2024, numri i studentëve ka rënë me 13.5%, teksa në universitetet publike, rënia është dyfish më e fortë me 25% sipas të dhënave zyrtare të INSTAT.

Qeveria ka shpallur një reformë të re në fillim të këtij viti që synon të trajtojë problematikën në arsimin e lartë. Por reformat në arsim zakonisht shtyhen nga emergjencat e momentit, për shkak se nuk i japin rezultatet sot për nesër, por kanë koston më të lartë në zhvillimin afatgjatë.

Sipas dokumentit zyrtar të Ministrisë së Arsimit për “Universitetin 2030” vihet një theks më i fortë në lidhjen mes arsimit të lartë dhe tregut të punës. Për herë të parë, universitetet orientohen të profilizojnë ofertën akademike sipas nevojave reale të ekonomisë kombëtare dhe rajonale.

Sipas dokumentit të Ministrisë së Arsimit, një tjetër risi qendrore është zhvendosja e fokusit drejt kërkimit shkencor dhe inovacionit si shtylla të arsimit të lartë.

Një risi tjetër është ndërkombëtarizimi i arsimit të lartë. Kjo nënkupton që universitetet shqiptare duhet të funksionojnë gjithnjë e më shumë si pjesë e një hapësire akademike europiane.

Selami Xhepa, presidenti i Universitetit Europian të Tiranës, tha se në kuadër të diskutimeve për reformimin e mëtejshëm të arsimit të lartë, kërkesa e UET është përqendruar veçanërisht te lehtësimi i burokracisë në hartimin dhe miratimin e programeve të studimit, një aspekt që pengon reagimin e shpejtë të universiteteve ndaj ndryshimeve të tregut të punës dhe kërkesave të studentëve.

Një tjetër pikë e rëndësishme lidhet me rritjen e mobilitetit të studimeve, si brenda vendit ashtu edhe në nivel ndërkombëtar, në mënyrë që studentët të kenë më shumë mundësi për të ndjekur një pjesë të studimeve në institucione të tjera dhe për të përfituar nga përvoja akademike të ndryshme, tha ai.

Institucionet e Arsimit të Lartë jashtë Tiranës janë të shqetësuar për efektet e reformës. Florian Bjanku, profesor në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, argumenton se reforma e arsimit të lartë po shkon drejt një centralizimi “de facto” në boshtin Tiranë–Durrës, duke lënë universitetet rajonale në nënkapacitet dhe duke krijuar pabarazi territoriale.

“Me financim minimal dhe pritshmëri maksimale, universitetet nuk arrijnë të lidhen realisht me tregun e punës dhe po shndërrohen në ‘treg diplomash’. Rasti i Shkodrës tregon humbjen e besimit të të rinjve. Pa ndryshuar modelin e financimit dhe trajtimin e barabartë të universiteteve, reforma rrezikon të formalizojë një dështim strukturor, jo ta zgjidhë atë”, – tha z. Binjaku.

Mirëpo çdo dokument për reformimin e arsimit të lartë dhe arsimit në tërësi mbetet i paragjykuar për aq kohë sa qeveria parashikon me ulje fondet për arsimin gjatë tre viteve në vijim.

Shpenzimet publike për arsimin në vitin 2022 ishin vetëm 2.9% e PBB-së, ndërsa më 2025 pritet të arrijnë në 2.4% të PBB dhe në vitin 2028 do të jenë vetëm 2.1% të PBB-së, sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave në buxhetin afatmesëm 2026-2028.

Kjo tregon se teksa ekonomia rritet, ndahen më pak fonde për arsimin. E njëjta praktikë po ndodh edhe me shëndetësinë. Fondet për arsimin ulen jo vetëm në raport me PBB-në, por edhe me shpenzimet totale buxhetore. Këtë vit buxheti i arsimit është sa 7.5% e totalit të buxhetit, teksa në 2028 nuk do të jetë më shumë se 7%. Teksa ekonomia zgjerohet, gjithnjë e më pak fonde ndahen për arsimin.

Financimet sipas meritës dhe profilizimit

Sipas dokumenteve fillestare të reformës për arsimin e lartë, financimi i universiteteve publike do të kalojë nga një sistem financimi linear në një model që shpërblen rezultatin.

Deri më sot, universitetet tona shpesh kanë garuar në një terren të paqartë, duke ofruar degë të ngjashme që prodhojnë të papunë me diploma. Formula aktuale e financimit të IAL-ve publike mbështetet kryesisht në numrin e studentëve, programet prioritare dhe të ardhurat që krijojnë IAL-të nga tarifat e shkollimit.

Të ardhurat që kanë arritur të grumbullojnë IAL-të publike luhaten nga 32.5% e vlerës së buxhetit të shtetit të caktuar për arsimin e lartë, siç u vërejt gjatë vitit akademik 2019-2020, e deri në 21.4% në vitin 2023.

Qasja e re propozon një ndryshim paradigme me investime direkte në profilizimin e universiteteve. Kjo do të thotë që financimi nuk do të shpërndahet njësoj, por do të shkojë drejt atyre institucioneve që guxojnë të identifikohen me nevoja specifike, sidomos ato të zhvillimit rajonal.

Nëse një universitet operon në një zonë me potencial turistik apo industrial, fondet shtetërore do të priren të mbështesin ato programe që furnizojnë drejtpërdrejt ekonominë rajonale.

Për të përfituar mbështetje, universitetet duhet të dëshmojnë sukses në tre fronte. Së pari, mësimdhënia akademike, pasi cilësia nuk do të matet me numrin e studentëve në sallë, por me kompetencën e tyre pas diplomimit.

Së dyti, kërkimi shkencor, ku investimet do të kushtëzohen nga inovacioni dhe zgjidhjet që shkenca ofron për problemet reale. Së treti, roli social dhe ekonomik, i cili mat aftësinë e universitetit për të dalë jashtë mureve të tij dhe për të ndikuar pozitivisht në shoqëri.

Cilësia problem, gjysma e pedagogëve part-time

Ndërkohë që flitet për ndërkombëtarizim dhe renditje në listat prestigjioze botërore, një raport i fundit i Bordit të Akreditimit të Arsimit të Lartë (2024) ka nxjerrë në dritë një të vërtetë të hidhur: universitetet tona po mbështeten masivisht mbi punën e stafit me kohë të pjesshme.

Pothuajse gjysma e stafit akademik në vend, 48%, janë të punësuar me kohë të pjesshme (part-time). Me gjysmën e trupës pedagogjike që nuk është e pranishme me kohë të plotë në auditorë, kërkimi shkencor mbetet në hije, pasi konsulta me studentët kthehet në një mision të pamundur. Ky model “part-time” sugjeron se universitetet po shërbejnë më shumë si stacione tranziti sesa si vatra të mirëfillta të dijes dhe kërkimit.

Nuk bëhet fjalë vetëm për mungesë stafi, por për mungesë të kualifikimit të duhur. 39% e universiteteve kanë raportuar sfida serioze lidhur me formimin e vazhdueshëm të stafit. Ekziston një vakum i dukshëm në mbështetjen për studimet për grada dhe tituj akademikë.

Pa një trupë akademike që rritet profesionalisht, diplomat e studentëve rrezikojnë të mbeten letra pa vlerë në një treg pune që kërkon inovacion. Nuk mjafton më vetëm mbijetesa e Institucioneve të Arsimit të Lartë (IAL), por një politikë e guximshme që nxit stafin akademik të ndjekë gradat dhe titujt, duke u ofruar siguri financiare dhe stabilitet në punë.

49% e universiteteve, pa lidhje me kërkimin shkencor

Arsimi i lartë në Shqipëri po kalon nëpër një fazë ku dëshira për t’u integruar në hapësirën kërkimore europiane po pengohet nga muret e vjetra të një sistemi që ende funksionon në izolim.

Sipas gjetjeve më të fundit të Bordit të Akreditimit, panorama e kërkimit shkencor mbetet e mbyllur pothuajse tërësisht brenda mureve të universiteteve, duke dështuar të krijojë një urë komunikimi me motorët e ekonomisë: biznesin dhe institucionet publike.

Raporti i periudhës 2016-2023 tregon se rreth 49% e institucioneve të arsimit të lartë vuajnë nga probleme serioze sa u përket investimeve në shkencë dhe infrastrukturës kërkimore, duke dëshmuar se gjysma e universiteteve tona po tentojnë të prodhojnë dije pa pasur mjetet bazë për ta bërë këtë.

Hendeku reflektohet në numrin e ulët të patentave dhe në mungesën e një interesi të mirëfilltë nga industria për të financuar inovacionin akademik, një situatë që kërkon me urgjencë rishikim të thellë të legjislacionit fiskal që do të nxiste sipërmarrjen të kthente sytë nga laboratorët universitarë. Shqipëria gjendet gjithashtu përballë një vakumi të dhënash.

Edhe pse flitet për “Shkencën e Hapur” dhe harmonizimin me strategjitë europiane, realiteti tregon se jemi ende në hapat e parë.

Nevoja për një fond special që financon literaturën bazë në gjuhën shqipe dhe modernizimi i bibliotekave, të cilat sipas raportit të vitit 2024 kanë ende nevojë të madhe për përmirësim, mbetet sfida që do të përcaktojë nëse universitetet tona do të jenë qendra të vërteta të inovacionit apo thjesht transmetues të një dijeje të vjetruar.

Kosto vjetore për student kalon 1600 euro në vit, as sa gjysma e rajonit

Në shikim të parë, shifrat që vijnë nga bilancet e arsimit të lartë në Shqipëri flasin për një rritje ambicioze. Kostoja mesatare vjetore për një student, e cila në vitin 2023 ishte 151,354 lekë, pritet të shënojë rritje të ndjeshme deri në 162,000 lekë brenda vitit 2025.

Ky trend në rritje reflekton mbështetjen shtetërore për kërkimin shkencor dhe fondet e ekselencës, të cilat kanë shënuar rritje nga rreth 364 milionë lekë në vitin 2019, në mbi 908 milionë lekë në vitin 2023. Megjithatë, pas kësaj fasade shifrash optimiste, fshihet një rrezik që po gërryen universitetet jashtë kryeqytetit.

Me këto të dhëna, Shqipëria operon me një model ekstremisht “low-cost” të arsimit të lartë. Të dhënat e OECD-së tregojnë se në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria mbetet në fund të renditjes. Në Serbi dhe Mal të Zi, kostoja për student vlerësohet rreth 3,000–4,000 euro në vit, në Bosnjë dhe Maqedoninë e Veriut rreth 2,500–3,500 euro, ndërsa në Kosovë rreth 2,000–2,500 euro.

Pra edhe vendet e rajonit, me sisteme dhe probleme të ngjashme, investojnë mesatarisht dyfish deri në trefish më shumë për student sesa Shqipëria.

Ndërsa një student europian ka pas vetes një investim publik që varion nga 6 deri në 10 herë më i lartë, një student shqiptar përfiton vetëm minimumin e nevojshëm për funksionim bazë.

Hendeku financiar e shpjegon pse universitetet shqiptare kanë më pak laboratorë, më pak kërkim shkencor, paga më të ulëta për pedagogët, më pak shërbime studentore dhe vështirësi për t’u integruar realisht në hapësirën akademike europiane.

Reforma e arsimit të lartë, megjithëse synonte autonominë dhe rritjen e cilësisë, po prodhon një efekt anësor të rrezikshëm. Përqendrimi i fondeve të ekselencës dhe programeve prioritare shpesh favorizon institucionet e mëdha qendrore, duke i lënë universitetet rajonale si ai i Shkodrës, Durrësit, Vlorës etj., në një lloj “vdekjeje klinike” akademike.

Ndërsa Tirana thith pjesën më të madhe të investimeve dhe projekteve prioritare, universitetet në rrethe po përballen me një rënie të numrit të studentëve dhe  vështirësi në rritje për të justifikuar kostot operative që po shtrenjtohen çdo vit.

Lidhje e dobët me tregun e punës, 40% e diplomave jashtë profilit

Një nga dobësitë kryesore është shkëputja relative nga tregu i punës. Shumë programe studimi mbeten ende teorike dhe jo mjaftueshëm të përditësuara me nevojat reale të ekonomisë. Studentët shpesh diplomohen pa aftësi praktike të mjaftueshme dhe me pak përvojë pune, ndërsa praktikat profesionale janë të kufizuara, formale ose jo sistematike.

Si pasojë, tranzicioni nga universiteti në punësim është i vështirë dhe shpesh i zgjatur, duke prodhuar papunësi të diplomuarish ose punësim nën nivelin e kualifikimit.

Raporti më i fundit mbi “Trendet dhe zhvillimet në edukim, aftësi dhe punësim 2025” i Fondacionit Europian të Trajnimeve, tregon se Shqipëria regjistron një normë punësimi prej 66% për të diplomuarit e rinj.

Ky tregues është shumë më i ulët kur krahasohet me standardin e Bashkimit Europian, i cili ka një normë punësimi prej 82.4%.

Problemi më i mprehtë që evidenton raporti është mospërputhja e aftësive, pasi rreth 30% deri në 40% e të diplomuarve me arsim të lartë ushtrojnë profesione që nuk kanë lidhje me kualifikimet e tyre arsimore.

Ky fenomen dëshmon për një lidhje të dobët ndërmjet sistemit arsimor dhe tregut të punës, duke detyruar forcën e re të punës të pranojë pozicione që nuk shfrytëzojnë potencialin e tyre të plotë, duke çuar në humbje të produktivitetit në rang kombëtar.

Përtej vështirësisë për të gjetur një punë në profesion, cilësia e vendeve të punës në Shqipëri mbetet një shqetësim madhor.

Më shumë se gjysma e të gjitha vendeve të punës në vend klasifikohen si “punësim i ndjeshëm” (vulnerable employment), një normë që është sa dyfishi ose trefishi i mesatares së BE-së. Kjo shpjegohet me investimet e ulëta publike në arsim, ku Shqipëria shpenzon vetëm 2.9% të PBB-së, duke mbetur ndjeshëm nën mesataren e BE-së prej 4.7%.

Mungesa e fondeve reflektohet drejtpërdrejt në cilësinë e nxënies, ku 73.9% e 15-vjeçarëve shqiptarë rezultojnë me mungesë të aftësive bazë në matematikë, duke krijuar një cikël vështirësish që nis që në shkollë dhe kulmon me vështirësitë në tregun e punës.

Dobësitë e arsimit të lartë në Shqipëri nuk janë vetëm çështje burimesh financiare, por lidhen me modelin e zhvillimit të sistem që është i orientuar më shumë drejt prodhimit të diplomave sesa drejt aftësive, dijes dhe inovacionit që i duhen realisht ekonomisë dhe shoqërisë.

 

Burokraci e lartë me programet

Në një botë ku teknologjia dhe tregjet e punës ndryshojnë brenda një nate, universitetet shqiptare mbeten të mbërthyera në një burokraci kohore që duket se sfidon logjikën e kohës.

Ndërsa flasim për ndërkombëtarizim dhe diploma të përbashkëta me Vjenën apo Stambollin, rruga që duhet të përshkojë një program i ri studimi, nga ideja në departament deri te regjistrimi i studentit të parë është një maratonë burokratike që zgjat mesatarisht 12 deri në 18 muaj.

Reforma në arsimin e lartë synon edhe një fleksibilitet të hartimit dhe miratimit të programeve. Sot, hartimi i një programi të ri më shumë se sfidë akademike është betejë me procedurat.

Faza e parë nis me muaj të tërë hartimi kurrikulash dhe stivimi dokumentesh për personelin dhe infrastrukturën. Pasi kalon filtrat e brendshëm të Senatit, programi trajtohet në zyrat e Ministrisë dhe Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë për 6 deri në 9 muaj të tjerë vlerësimi.

Kur programi më në fund merr dritën e gjelbër për të hapur dyert, një pjesë e literaturës apo metodologjisë mund të jetë tashmë e vjetruar. Nëse një universitet kërkon të hapë sot një degë për Inteligjencën Artificiale, studenti i parë do të ulet në bankë vetëm në fund të vitit 2027.

Së dyti, izolimi akademik duhet të marrë fund. Programet e reja nuk mund të hartohen më vetëm nga profesorët brenda katër mureve. Nevojitet një model i ri ku biznesi dhe industria janë bashkautorë të kurrikulës.

Një diplomë duhet të jetë një “kontratë” punësimi që në zanafillë, e certifikuar nga bordet e ekspertëve të fushës.

Një tjetër pengesë është ngurtësia e programeve ekzistuese. Sot, ndryshimi i një lënde kërkon riakreditim, duke i mbajtur universitetet peng të programeve të betonizuara. Nevojitet fleksibilitet që lejon institucionet të përditësojnë deri në 30% të përmbajtjes së tyre në kohë reale, pa pasur nevojë për vulat e radhës në ministri./Monitor.al/

Sali Berisha: Edi Rama anullon udhëtmin për në Konferencën e Mynihut pas dyerve të mbyllura në Davos

Lideri i opozitës Sali Berisha  në rrjetet sociale:
“Edi Rama anullon udhëtimin për në Konferencën e Mynihut. Pas dyerve të mbyllura në Forumin Ekonomik Botëror të Davosit, një tjetër sinjal i qartë izolimi diplomatik. Zëri i qytetarëve opozitarë po dëgjohet në Europë dhe në botë dhe në 20 Shkurt ky zë do jehoi më fortë se kurrë!
.
Edi Rama cancels his trip to the Munich Conference. After doors were closed to him at the World Economic Forum in Davos, this is another clear signal of diplomatic isolation. The voice of opposition citizens is being heard in Europe and around the world, and on February 20 this voice will echo louder than ever!

 

Ndryshime në Kryeministri! Sekretari i Përgjithshëm, Engjëll Agaçi largohet nga detyra

Sekretari i përgjithshëm i Kryeministrisë, Engjëll Agaçi, nuk është më në detyrën që mbante pranë kreut të qeverisë, Edi Rama.

Largimi i tij mësohet ka ardhur si rezultat i dorëheqjes, ndërsa arsyet nuk janë ende të qarta.

Sakaq, raportohet se ai do të zëvendësohet në detyrë nga Elsonida Rama.

Po ashtu, ndryshime janë bërë edhe në drejtimin e kabinetit të Kryeministrit. Vilma Guri është emëruar shefe e kabinetit, duke zëvendësuar Vali Bizhgën në këtë detyrë.

Engjëll Agaçi largohet nga detyra pas plot 13 vitesh.

Zëvendësuesja e tij, Elsonida Rama,  aktualisht mban pozicionin e drejtoreshës së Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë, si dhe është përfshirë në grupin e punës për hartimin e Kodit të ri Penal.

Më herët, Rama ka punuar gjithashtu në Kryeministri te drejtoria Juridike.

Prezantimi i saj para ministrave është bërë në mbledhjen e sotme.

Disa ditë më parë në shtypin e Tiranës në derën e kryeministrisë u filmua një furgon duke ngarkuar dosje.

Paskan qenë dosjet e Agaçit!

 

AKU bllokon mbi 2.4 tonë produkte me origjinë shtazore dhe fruta të thata në tregun Agro Ushqimor-Tiranë: Janë të pasigurta!

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka zhvilluar kontrolle në tregun agroushqimor në Tiranë, pas një denoncimi për tregtim të produkteve ushqimore të pasigurta me origjinë shtazore.

Gjatë inspektimeve në pesë subjekte, u konstatuan 197.5 kg produkte të pasigurta, përfshirë djathë kaçkavall dhe fruta të thata, si dhe 2214.2 kg produkte në mungesë etiketimi, konkretisht sallam dhe fruta të thata.

Për shkeljet e evidentuara, trupa inspektuese vendosi gjithsej 7 masa administrative me gjobë, për tregtim ushqimi të pasigurt, mungesë gjurmueshmërie dhe mungesë etiketimi, në një vlerë totale prej 1.600.000 lekësh. AKU bëri të ditur se kontrollet në terren do të vijojnë me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Njoftimi i AKU-së
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka kryer kontrolle në tregun Agroushqimor në Tiranë, në subjekte të cilat tregtonin produkte me origjinë shtazore, pas një denoncimi të ardhur për tregtim të produkteve ushqimore të pasigurta.

Gjatë kontrolleve të kryera në pesë subjekte u konstatuan 197.5 kg produkte të pasigurta djathë kaçkavall dhe fruta të thata, si dhe 2214.2 kg produkte në mungesë etiketimi (sallam dhe fruta të thata). Për shkeljet e konstatuara nga trupa inspektuese u vendosën gjithsej 7 masa administrative me gjobë, për tregtim ushqimi të pasigurt, mungesë gjurmueshmërie dhe mungesë etiketimi në vlerën totale 1.600.000 lekë. AKU do të vijojë kontrollet në terren me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të konsumatorit. bw

“Pse lejohet grabitja dhe tjetërsimi i tokës së lumit Seman?”- Erion Braçe i kërkon llogari ministrit të Bujqësisë!

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka depozituar në Kuvend një kërkesë për zhvillimin e një seance pyetje-përgjigje me ministrin e Bujqësisë, Andis Salla.

 

Braçe kërkon sqarime lidhur me lejimin e grabitjes dhe tjetërsimit të tokës përgjatë lumit Seman, pranë fshatit Imshtë.

Ai kërkon gjithashtu informacion nëse janë evidentuar raste të ngjashme edhe përgjatë lumenjve Seman dhe Shkumbin.

Kërkesa e deputetit Erion Braçe

Në cilësinë e deputetit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, bazuar në nenet 90 dhe 95 të Rregullores së Kuvendit, kërkoj zhvillimin e një seance pyetje-përgjigje me Ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, z. Andis Salla, për sa më poshtë vijon:

Pse lejohet grabitja dhe tjetërsimi i tokës së lumit Seman, pranë fshatit Imshtë, njësia administrative Bubullimë, bashkia Lushnje?

A keni evidentuar raste të tjera të grabitjes dhe tjetërsimit të tokës së lumit përgjatë lumenjeve Seman dhe Shkumbin, në territore të bashkisë Lushnje, Divjakë? Panorama

‘Konflikti mes aksionerëve po mban peng aeroportin e Vlorës’ Xama: Shteti rrezikon të paguajë minimalisht 117 mln euro

Gazetarja Ola Xama, e ftuar në MCN TV, foli për konfliktin mes aksionerëve të aeroportit të Vlorës, që po pengon vënien në punë të tij.

Sipas saj, ka padi dhe kundërpadi mes kompanive Mabco dhe 2A Group për 47% të aksioneve, çështje që po hetohet edhe nga Prokuroria e Tiranës. Gjykata e Apelit ka pezulluar të drejtën e votës për këtë përqindje, duke e komplikuar situatën.

Xama paralajmëroi se ndërhyrja e qeverisë mund ta çojë çështjen në arbitrazh, duke i kushtuar shtetit minimalisht 117 mln euro, ndërsa ndërtimi i aeroportit do të kushtonte 87 mln euro. Sipas saj, kontrata është hartuar në mënyrë të pakujdesshme dhe aeroporti nuk pritet të hapet në mars.

Xama:

Mabco ka dorëzuar padi në gjykatën civile ku kërkon shfuqizimin e disa vendimeve të asamblesë, me një administrator që zoti Pacolli e akuzonte se punonte për palën tjetër. Ka kundërpadi nga 2A Group. Është bllokuar vota për tjetërsimin e kuotave të shoqërisë. 2A Group pretendon se ka shitur Pacolli 47% të aksioneve. Pacolli thotë nuk është e vërtetë. Për këtë janë në Prokurorinë e Tiranës.  Gjyakta Apelit thotë, për 47% të kuotave pezullohet vota e Mabco, por operon me 51% të kuotave. Mabco ka thirrur asamblesë dhe kërkoi ndryshimin e statutit, për të ndryshuar tjetërsimin e kuotave. Është bërë kundërpadi nga ana e Valon Ademit. Pra është e gjitha një lëmsh i vërtetë.

Një ditë më parë, Mabco ka dalë në konferencë me përfaqësues të saj, ku e quajti situatën në kushtet e një shpronësimi, pra që shteti po merr diçka me forcë. Nuk ka rëndësi nëse e bën qeveria, por mund ta bëjë edhe gjykata. Kjo mund ti hapë rrugë të drejtave që mund të pretendojë kompania për investimet dhe fitimin e munguar në arbitrazh. Akuzat mes ortakëve vazhdojnë.  Nuk duket se do të vendoset në operim aeroporti për në mars. 

Si e shoh me syrin e një njeriu të pavarur? Nëse do të ndërhynte qeveria, autoriteti kontraktor, do të çonte ujë në burimin e arbitrazhit. Do ti jepte të drejtë të dyja kompanive. Pa paragjykuar askënd, kemi një konflikt të dy biznesmenëve që ka lindur nga hiçi dhe ky mund të jetë edhe i stisur si konflikt, është një përqindje mundësie, siç mund të jenë skenarë të tjerë. Nëse shteti prish në mënyrë të njëanshme kontratën, kontrata e ngarkon të paguajë 56 milionë euro kredi, plus interesat dhe vlerën e investimit. Vlera e investimit që pretendojnë kompanitë janë afro 140 mln euro.

I bie një vlerë minimale që mund të paguajë shteti, të paguajë 117 mln euro. Nërkohë ndërtimi i aeroportit do të kushtonte 87 mln euro. Janë kontrata të bëra në mënyrë të pakujdesshme.

“Me vjedhjet e Ballukut, një popull tjetër do e digjte parlamentin” – Lubonja: Duhen protesta më të forta, këta nxjerrin fishekzjarre

Analisti Fatos Lubonja theksoi se reagimi qytetar ndaj vjedhjeve të Belinda Ballukut, zëvendës kryeministres dhe ministres së pezulluar nga detyra, duhet të ishte më i fortë.

 

I ftuar në emisionin “Kjo javë” në News24, analisti theksoi se një popull tjetër perëndimor, nëse do të vidhej në këtë mënyrë, do ta “digjte” parlamentin. Ai u shpreh kritik ndaj protestës së PD-së, teksa tha se duhen tubime më të forta, dhe jo të protestohet me fishekzjarre.

“Problemi është raporti që ka pushteti me protestat, që nuk pranohen. Biles aq janë demonizuar, mendoj se opozita është dobësuar. Duhen protesta shumë më të forta. Me këtë vjedhjen që ka bërë Balluku me Ramën mund të ishte djegur parlamenti po të ishte popull tjetër. Ne jemi popull i nënshtruar dhe dalim e bëjmë sikur protestojmë. Nxjerrim fishekzjarre. Po të ishte një popull tjetër nga perëndimorët, do e kishin djegur. Ky presioni mos bëni protesta, mos bëni, ca tu bësh këtyre? Këta janë banditë, kur nuk ke edhe drejtësi që t’i arrestojë.

I ke parë çfarë kanë bërë grekët, po francezët? Këtu duan të na bëjnë dele. Nëse iu kujtohet, e kam thënë edhe herë tjetër, 700 mijë euro ishte biseda që bënte Ilir Meta me Priftin. Deklarata që bënë këta ishte se populli nuk duron dot më. Dmth edhe këta nuk qenkan organizatorë. S’e marrin përgjegjësinë. Dmth logjika e 700 mijë eurove në atë kohë ishte se populli nuk duron më dhe e djeg kryeministrinë. “, u shpreh Lubonja.

“Balluku është thjesht një kukull që ha dardha”- Lubonja: Prapa Ramës është krimi i organizuar dhe nuk kapet dot kollaj

Analisti Fatos Lubonja ishte mbrëmjen e sotme në “Kjo Javë” ku foli për protestën e 10 shkurtit të opozitës dhe atë që pritet të ndodhë me protestën e radhës më 20 shkurt.

Lubonja është i mendimit se PD dhe opozita duhet të jenë më të ashpër me protestat, ashtu siç do ishte një popull perëndimor në raste korrupsioni masiv.

Më tej, ai shton se Balluku për të cilën protestën opozita, është thjesht një kukull që ha kumbulla prapa. Qëllimi duhet të jetë Rama, që sipas tij nuk kapet dot kollaj pasi pas tij është krimi i organizuar.

Lubonja: Ka një krizë sistemore. Edi Rama është njësoj si Sali Berisha. Këta kanë bashkëpunuar të gjithë me oligarkët dhe prandaj thuhet se nuk ngrihet populli. Unë nuk jam me këtë tezë. Teza ime është se sistemi ka qenë ky për të cilin po flasim.

Kemi kërkuar forca të reja dhe i kemi mbështetur ato. Por sistemi ka pësuar mutacion: nga dy parti oligarkësh është kthyer në një bandë që kontrollon gjithçka. Është ndërtuar një projekt që të mos ketë rotacion. Dhe nëse e gjithë ekonomia është kriminalizuar, atëherë ky është sistemi që është ngritur: një narkoshtet që nuk lejon më rotacion. Sipas meje, këto protesta bëhen më shumë sa për efekt simbolik, si fishekzjarrë që pasqyrohen në mediat e huaja.

Normalisht, më parë sistemi kishte edhe një faktor tjetër: ndërkombëtarët, të cilët detyronin ndryshime. Tani Europa po bëhet më autoritare dhe i mbështet këto qeveri. Shqiptarët nuk e kanë atë kulturë politike; presin që të vijnë të huajt. Edhe këta vetë presin t’i shpëtojë Trump. Të huajt thjesht duan të ruajnë fytyrën.

Edhe Trump duket si një njeri që synon të bëhet autoritar dhe nuk kam pikë dyshimi që nesër mund të takojë Ramën e të thotë se “ky është djalë i mirë”. Nëse nuk kapet Rama, Balluku është thjesht një kukull. Prapa Ramës, sipas meje, qëndron krimi i organizuar. Dhe kjo nuk kapet lehtë.

Kuvendi i Shqipërisë miratoi deklaratën për pafajësinë e liderëve të UÇK-së

Kuvendi i Shqipërisë miratoi një deklaratë në mbështetje të së vërtetës historike të luftës çlirimtare të Kosovës, duke e cilësuar atë një përpjekje legjitime për liri dhe dinjitet.

 

Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme përshëndeti qëndrimin dhe u angazhua ta mbrojë atë në çdo forum ndërkombëtar, duke kundërshtuar çdo përpjekje për barazimin e viktimës me agresorin dhe duke shprehur solidaritet me Kosovën.

Deklaratë e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme

🇦🇱🇽🇰 Sot, Kuvendi i Shqipërisë foli me një zë për të vërtetën e luftës çlirimtare të Kosovës dhe për dinjitetin e atyre që e mbajtën mbi supe atë barrë historike. Ishte një zë që nuk vinte vetëm nga salla e parlamentit, por nga kujtesa e një kombi që e di çfarë do të thotë të luftosh për liri.

Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme e përshëndet këtë deklaratë dhe angazhohet plotësisht për zbatimin e saj në çdo forum ndërkombëtar, me dinjitet, me përkushtim dhe me respekt të palëkundur për të vërtetën historike.

Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk ishte një kapitull i errët, por një dritë në një kohë të errët për gjithë kombin shqiptar. Ajo ishte një luftë për mbijetesë, për dinjitet dhe për të drejtën themelore të një populli për të jetuar i lirë në tokën e vet. Kjo e vërtetë nuk është çështje interpretimi politik; është pjesë e ndërgjegjes sonë kolektive.

Në këtë moment të vështirë për drejtuesit e asaj lufte dhe për familjet e tyre, Shqipëria qëndron pranë Kosovës, me solidaritet të plotë dhe me besimin se drejtësia duhet të jetë e paanshme, e drejtë dhe në përputhje me të vërtetën historike.

Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme do të ndërmarrë çdo hap diplomatik për të mbrojtur këtë të vërtetë, për të kundërshtuar çdo përpjekje për barazimin e viktimës me agresorin dhe për të siguruar që zëri i Shqipërisë dhe i Kosovës të dëgjohet qartë në çdo tryezë ndërkombëtare.
Sepse liria e Kosovës është një kapitull i përbashkët i historisë sonë, dhe dinjiteti i saj është dinjiteti i gjithë kombit shqiptar.

Panorama

FOTOLAJM- PS humb maxhorancën, nuk mbledh dot 71 deputetë! Peleshi tenton të anulojë votimin, Balla kërkon pushim: Mblidhni veten!

Partia Socialiste ka humbur mazhorancën në seancën e sotme parlamentare, duke mos mbledhur dot 71 vota për të miratuar projekt vendimet. Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi tentoi të anulojë votimin.


Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi tentoi të anulojë votimin, me arsyetimin se ishte bërë një gabim. Ndërkohë opozita tha se votimi u ndërpre, pasi nuk kishin votat e nevojshme.

Nga leximi i emrave të deputetëve socialiste të pranishëm në Kuvend rezultoi se ishin vetëm 67 deputetë.

Deputetët që mungonin në Parlament: 

1-Pirro Vengu,
2-Albana Kociu
3-Belind Balluku
4-Edi Rama
5-Toni Gogu
6-Elisa Spiropali
7-Ervin Demo
8-Majlinda Dhuka
9-Adea Pirdeni
10-Blendi Gonxhja
11-Damian Gjiknuri
12-Erjona Ismaili
13-Fatmri Xhafaj
14-Hatixhe Konomi
15-Ornaldo Rakipi
16-Eduard Shalsi
17-Tedi Mula
18-Saimir Hasalla

Debati: 

Balla: Ne u informuam se opozita është tërhequr nga të gjitha nismat. Na Blushi na informon se nuk është tërhequr nga nismat. Nuk kemi si të kalojmë në diskutim nismën e zotërisë. Zoti kryetar na i sqaroni këtë.

Peleshi: Ka një gabim, sqarimi është ky projekt vendimet votohen në fund, pasi diskutohen projektligjet. Projektligjet e tërhequra nuk janë tre, por janë dy. Pr.ligji për një shtesë në ligjin për tatimin e vlerës së shtuar të ndryshuar nuk është tërhequr. Kështu që janë vetëm dy. Projekt vendimet do të votohen pasi të përfundojë diskutimi i pr.ligjeve.  Do korrektohet ky gabim.

Shehaj: Jemi në votim, unë nuk kam mundësi të shoh as projektligjin.

Peleshi: Ishte gabim, nuk mund të fillojmë procesin e votimit pa mbaruar diskutimi. Ishte gabim.

Shehaj: Kush pr ligj është tërhequr?

Peleshi: Pr ligji për tatimin e vlerës së shtuar.

Shehaj: Ca janë këto, zoti kryetar ishim në votim. Kemi një rend dite. Kemi edhe projektligje të tjera. Ta marrim vesh qytetarët që ju bëni cfarë të doni. Në këtë parlament fillohet votimi, kur shikoni që nuk keni vota, tërhiqeni dhe thoni bëmë shaka dhe e fillojmë nga fillimi. Ta marrim vesh zoti kryetar, të kuptojmë ju ndërpretë votimin në mes sepse mazhoranca nuk kishte votat?! Ishim në votim në një moment të caktuar pamë që po numëronit njëri tjetrin, nuk kishit numrin. Si tia bëjmë dhe thatë ndërprite votimin.

Peleshi: Nuk është ndërprerë votimi për çështje numrash, sepse në sallë janë më shumë se 70 deputetë. Ju thashë se u ndërpre procesi  i votimit dhe ky ishte gabimi, duhet pranuar gabim njerëzor, sepse kishte mbetur edhe një projektligj pa u diskutuar, i cili gabimisht u konsiderua si pjesë e nismave të tërhequra nga deputetët. Nuk ka tërheqje, ndaj do vazhdojmë me këtë projektligj. gsh

“Çdo natë nga kryeministria dalin kamionë për të zhdukur gjurmët e krimeve të Ballukut”- Berisha: Ja pse nuk po publikohet në Fletoren Zyrtare vendimi për pezullimin nga detyra

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka denoncuar se nga kryeministria natën janë parë kamionë, që sipas tij transportojnë dokumente që fshehin gjurmët e krimeve, që siç shprehet ai ka kryer Belinda Balluku.

Jashtë parlamentit, Sali Berisha tha se në Fletoren Zyrtare nuk po publikohet vendimi i  pezullimit nga detyra, pasi nuk i interesin Edi Ramës.

Ai akuzoi kryetaren e Gjykatës Kushtetuese si militante të Partisë Socialiste, por paralajmëroi se do të përfundojë tek ata që nuk zbatojnë ligjin.

“Nëse vendimi i parë  që i interesonte Edi Ramës u publikua brenda dy orëve, vendimi tjetër mbahet në sirtar dhe nuk publikohet nga kryetarja që është militante e PS në mënyrë që Lubia të ketë kohë për të shkatërruar dokumentet bashkë me Ramën. Kamionët çdo natë dalin nga kryeministria për të zhdukur gjurmët e krimeve. E vonon kryetarja e Gjykatës, një militante e PS, por edhe ajo do përfundojë aty ku e kanë vendin ata që nuk zbatojnë Kushtetutën”, tha Sali Berisha jashte Parlamentit. gsh

“Dorëzoni mandatin e Lubi Ballukut!”- Berisha mazhorancës: Jeni në agoni, ndaj turfulloni! S’ka parlament pa hequr imunitetin e saj!

Lideri i opozitës, Sali Berisha kërkoi nga foltorja e Kuvendit ditën e sotme (12 shkurt) heqjen e imunitetit të ish-zv/kryeministres së pezulluar nga Gjykata, Belinda Balluku, duke i akuzuar për histeri kolektive dhe agonizëm, për shkak se janë në panik.

 

Berisha tha se ata po mbronin plaçkën e vjedhur dhe ndaj si të paguar mbronin me çdo kusht vjedhjet dhe “Lubi Ballukun”. Ai shtoi se kërkesa e tyre e vetme ishte heqja e mandatit të Ballukut.

“Histeria kolektive është sindroma para agonisë së plotë. Turfulloni në histeri kolektive. Ndaj këta janë në histeri kolektive, sepse janë hajdutë të gjithë, sepse mbrojnë plaçkën që kanë marrë nga ju, ndaj bërtasin, shajnë, çirren, lebetiten, turfullojnë. Ndaj shqiptarët do ju japin ju dhe Lubisë përgjigjen që meritoni”, u shpreh kreu i PD.

Berisha theksoi se nuk mund të kishte parlament pa hequr mandatin e Ballukut. Madje ai pati edhe një moment tensioni me një nga deputetët e mazhorancës që po e ndërpriste, duke i kërkuar Peleshit që ta nxirrte jashtë.

 

“Ju nuk mund të bëni parlament pa hequr imunitetin e Lubisë. S’ka rend dite tjetër, imunitetin e Ballukut! O të paguar, o skllevër, o… çfarë mund t’ju thuash ju, o përfaqësues të botës së krimit… A do e nxjerrësh jashtë atë që flet aty… nxirre jashtë… Mandatin e Lubi Ballukut, dorëzoni mandatin, kjo është kërkesa jonë!”, përfundoi Berisha. Panorama

“Pa drejtësi nuk ka shtet”- Banorët e Durrësit dhe Baks-Rrjollit në protestë para Kuvendit: Do vijë dita të ikë I pari dhe I dyti

Qytetarët janë njoftuar se brenda datës 16 shkurt duhet të lirojnë banesat, pasi do të nisë shembja e objekteve me qëllim që t`i hapet rrugë projektit TID, që parashikon rikualifikim të zonës historike të Durrësit.

 

TIRANË- Ndërkohë që në Kuvend ka nisur seanca plenare, banorët të lagjes Nr.1 në Durrës, të cilët preken nga projekti TID dhe banorët e Baks Rrjollit në Velipojë po protestojnë pasi akuzojnë qeverinë se po u merret prona.

Qytetarëve janë njoftuar se brenda datës 16 shkurt duhet të lirojnë banesat, pasi do të nis shembja e objekteve me qëllim që t`i hapet rrugë projektit TID, që parashikon rikualifikim të zonës historike të Durrësit. Me anë të kësaj proteste, banorët e Durrësit dhe të Baks-Rrjollit kërkojnë që prona e tyre të mos shpronësohet dhe të gjindet një zgjidhje për situatën.

“Me këtë që po bën ky hajduti bashkë me Belinda Ballukun. Do vijë dita të ikë I pari dhe I dyti dhe ata bastardë parlamentarë socialist’ thërret një grua me megafon.”, u shprehen banorët./Dosja.al

“Ftoni përfaqësuesit e grupimeve që protestojnë jashtë Kuvendit, në seancë”- Redi Muçi: Nëse nuk ju tremb molotovi, duhet të ruheni nga urrejtja e popullit

Deputeti Redi Muçi në fjalën e tij në Kuvend, ngriti shqetësimin e lidhur protestën e qytetarëve që po mbahet jashtë ambienteve të Kuvendit.

Ai kërkoi që përfaqësuesit e tre grupimeve që po protestojnë për të drejtat e tyre të ftohen në Kuvend dhe të dëgjohen shqetësimet e tyre.

Gjithashtu ai nënvizoi se qeveria është e zhytur në skandale e korrupsion, duke theksuar se nëse “nuk trembet nga molotovi, duhet t’i frikësohet urrejtjes së popullit”.

 

“Sjell në vëmendje se seanca e sotme ka nisur me protestën e tre grupimeve, të Rrjolit, të Durrësit dhe grupimit të ish minatorëve që protestojnë për statutin e minatorit. Përfaqësuesit kërkojnë të jenë të pranishëm në seancë dhe të shprehi  qëndrimet e tyre, Nuk ka ndodhur që një qeveri të jetë kaq e legjitimuar me skandalet dhe kaq e dhunshme me qytetarët. Sa më shumë zhyteni në korrupsionin dhe luftoni sistemin e drejtësisë, aq më të dhunshëm bëhemi. Unë sugjeroj që nëse ju nuk ju tremb molotovi, të ruheni nga urrejtja e popullit. Unë ju sugjeroj që në emër të dinjitetin ta nisim seancën me dorëheqjen e qeverisë tuaj dhe të kërkoni falje për atë që i keni bërë vendit dhe të ftoni përfaqësuesit e grupimeve sociale në seancë”, tha ai. BW

U votua qeveria e re e Kosovës, Presidenti Begaj: Urime kryeministrit Kurti! Ju sigurojmë për vijimin e mbështetjes vëllazërore

Kuvendi i Kosovës ka votuar mbrëmjen e djeshme formimin e Qeverisë së re të drejtuar nga Albin Kurti, duke shënuar nisjen e mandatit të ri qeverisës, i njohur si “Kurti 3”.

Presidenti Bajram Begaj ka uruar krijimin e qeverisë së re dhe kryeministrin Kurti.

“Urime Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Kryeministrit z. Albin Kurti!

I uroj suksese në mandatin e ri, në drejtimin e Qeverisë drejt progresit, zhvillimit dhe begatisë së popullit të Kosovës.

Shpreh bindjen se përkushtimi dhe bashkëpunimi në dobi të shtetit dhe qytetarëve do të udhëheqin të gjithë klasën politike të Kosovës në përballimin e sfidave që janë përpara.

Ju sigurojmë për vijimin e mbështetjes vëllazërore për Qeverinë tuaj dhe bashkëkombasit tanë”, shkroi kreu i shtetit.

Me 66 vota pro, 49 kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi miratoi dje kabinetin qeverisës të udhëhequr nga Kurti, i cili do të ketë në përbërje 19 ministri.

Ky është mandati i tretë qeverisës i drejtuar nga Kurti, ndërsa Kosova kaloi rreth një vit pa qeveri funksionale për shkak të bllokadave politike.bw

“Protesta erdhi dy muaj pasi plasi skandali Balluku”- Salianji: Qeveria ka rënë, por lidershipi i PD-së nuk mbush dot vakuumin

Ish-deputeti Ervin Salianji ishte mbrëmjen e sotme në “Oponencë” ku foli mbi protestën e djeshme të opozitës.

Salianji thekson se protestat e thirrura nga Berisha erdhën dy muaj pasi plasi skandali Balluku, kur mund të ishin thirrur më shpejt.

Ndërkohë që shtoi se me rastin Balluku dhe AKSHI, qeveria ka rënë, por është opozita sipas tij që nuk e përmbush dot vakumin e krijuar.

Salianji: Do duket si një ndarje me PD, por unë i shërbej PD-së. Jam në një situatë ku mendoj ndryshe: qëllimi im është ta bëjmë PD fituese. Është e lehtë të organizohesh, por duket sikur po i bie një gozhdës tjetrit në patkoit, dhe krijohet përshtypja e përçarjes.

Nëse do të merrja vendim personal, do ta kisha bërë më parë, ditën kur u konstituua parlamenti, për të nisur protestën. Vendimi për protestë erdhi pas shkeljeve në MIE dhe AKSHI. Kërkesa për dorëheqje dhe protesta u zhvilluan dy muaj pas skandalit. Qeveria ka rënë moralisht, por ekziston një vakuum lidershipi. Kur një qeveri kapet në korrupsion dhe vjedhje, ajo bie politikisht dhe moralisht. Por për të zëvendësuar këtë vakum, opozita duhet të jetë e aftë.

Diferenca është se PD sot, përtej shpërthimeve simbolike, duhet të mendojë seriozisht se si mund të rrëzojë Edi Ramën. Forma e protestës aktuale nuk është e mjaftueshme. Duhet të ketë veprime më konkrete, si bllokimi i rrugëve ose proteste në pika strategjike. PD duhet të përmirësojë vetveten për t’i bashkuar njerëzit. Në fund të ditës dhe netëve të protestës, kur qytetarët shkojnë për të votuar, aty do të matet fuqia e opozitës.

“Me firmën e Ballukut vidhen pronat tona!” Banorët e Rrjollit dhe ata që preken nga projekti TID protestë sot para Kuvendit

Teksa sot pritet të mblidhet Kuvendi në seancë plenare, jashtë godinës është njoftuar një protestë qytetare.

Mësohet se rreth orës 9:00, banorë të Rrjollit të Velipojës, dhe ata që preken nga projekti TID në Durrës, do të ‘zbarkojnë’ para Kuvendit, ku do të protestojnë për të drejtat e tyre.

Ata pretendojnë se po u zaptohen pronat. Kujtojmë se banorët e Rrjollit kanë lëshuar akuza në drejtim të Belinda Ballukut se me firmën e saj u dha leje për ndërtimin e një resport, në pronat e tyre.bw

631513162 945688824686245 6470676604196968866 N

 

 

 

 

Batërdia e plaçkitjes në Shqipëri – Janinë-Kakavijë, Greqia ndërton autostradë me 6 korsi 40% më lirë se Qukës-Qafë Plloca

Batërdia e plaçkitjes me veprat e mëdha publike, përveçse ne telefonat e sekuestruar nga SPAK, tashmë ka filluar të demaskohet edhe nga ndërtimet e fqinjëve. Greqia njoftoi zyrtarisht nisjen e punimeve për ndërtimin e autostradës moderne Janinë-Kakavija.

Kontrata për ndërtimin e rrugës 70 kilometër të gjatë, e cila do të ketë 2 korsi 3.75 metër plus një korsi emergjence 2.3 metër në çdo anë, u nënshkrua për një kosto totale prej 310 milionë euro duke përfshirë tatimin mbi vlerën e shtuar. Kjo do të thotë se një kilometër në autostradën Janinë-Kakavije do të kushtojë 4.4 milionë euro.

Image

Autostrada Janine-Kakavije me kosto 4.4 milione euro per km

Ndërkohë Shqipëria sapo inauguroi rrugën famëkeqe Qukës-Qafë Pllocë. Ky segment 43 kilometër i gjatë, që ka vetëm një korsi në secilën anë, u mbyll me një kosto prej 260 milionë eurosh. Pra mesatarisht mbi 6 milionë euro për kilometër katrorë.

Image

Autostrada Janine-Kakavije me kosto 4.4 milione euro per km

Ndërkohë Shqipëria sapo inauguroi rrugën famëkeqe Qukës-Qafë Pllocë. Ky segment 43 kilometër i gjatë, që ka vetëm një korsi në secilën anë, u mbyll me një kosto prej 260 milionë eurosh. Pra mesatarisht mbi 6 milionë euro për kilometër katrorë.

Rruga Qukes-Qafe Plloce me kosto 6 milione euro per km

Krahasimi mes dy rrugëve tregon se sa shtrenjtë i paguajnë veprat publike taksapaguesit shqiptarë. Në Greqi, një autostradë me 4 plus 2 korsi kushton 40 për qind më pak se sa një rrugë me 2 korsi në Shqipëri.

Megjithatë nuk mbaron me kaq. Qukës-Qafë Plloçë shfaqi dëmtime të rënda vetëm pak javë pas inaugurimit dhe do të marrë të tjera para nga buxheti i shtetit. Burime nga ministria e Infrastrukturës bëjnë të ditur se po shqyrtohet mundësia e ndërtimit të një tuneli për të stabilizuar një segment problematik të rrugës, që ka dalë totalisht jashtë funksionit, por momentalisht në sektorin e infrastrukturës nuk firmoset asgjë, pasi SPAK vuri nën akuzë ministren Belinda Balluku.

Por problemi i Qukës-Qafë Pllocë është aty dhe pavarësisht se kush do të jetë ministër i Infrastrukturës stabilizimi i rrugës do të kërkojë të tjera fonde të konsiderueshme, që do ta rrisin më tej koston e saj.

K krahasim tregon se sa e madhe është fatura e korrupsionit që qytetarët shqiptarë paguajnë çdo ditë për ndërtimin e veprave publike, të cilat madje shemben pa mbaruar mirë ahengu i inaugurimeve.

Athinë-Kakavijë në 4 orë e 30 minuta

Greqia nisi ndërtimin e autostradës së re Janinë-Kakavijë, e cila do të shkurtojë ndjeshëm distancën mes kryeqytetit grek dhe kufirit shqiptar. Sipas pamjeve të transmetuara nga mediat greke, kompanitë ndërtuese kanë filluar punimet e para përgatitore, të cilat përfshijnë pastrimin dhe largimin e bimësisë, si dhe punimet fillestare të dheut.

Kontrata për projektin, me kosto 310 milionë euro (përfshirë TVSH-në), u nënshkrua në dhjetor 2024 dhe, siç deklaroi së fundmi Sekretari i Përgjithshëm i Infrastrukturës, Dimitris Anagnopoulos, aksi rrugor do të përfundojë afërsisht për 4 vite e gjysmë.

Aksi rrugor “Janina – Kakavia” është 70 km i gjatë dhe është vazhdim i Autostradës Jonike nga Janina deri në kufirin greko-shqiptar në zonën e Kakavisë, duke kaluar nëpër prefekturën e Janinës. Konsiderohet si boshti vertikal më perëndimor i Autostradës Egnatia dhe është pjesë e Rrjetit kryesor Trans-Evropian të Transportit të vendit. Projekti përfshin dy seksione:

1) Seksioni Janinë – Kalpaki: Ka një gjatësi totale prej 46.4 km me një shtrirje të re dhe gjashtë kalime në nivel (Kosmira, Asvestochori, Gramenochori, Pasaena, Zitsa dhe Karyo)

2) Seksioni Kalpaki – Kakavia. Përfshin 23.1 km dhe përfundon në stacionin kufitar të Kakavisë. Ka të bëjë me përmirësimin e rrugës ekzistuese.

Aksi rrugor është projektuar me një shpejtësi projektimi prej 100 km/orë dhe me një prerje tërthore që përfshin 2 korsi trafiku, 3.50 m dhe 3.75 m të gjera secila, dhe 1 korsi emergjence, 2.30 m të gjera, në secilin drejtim.

Ishulli qendror ka një gjerësi totale prej 3.15 m, duke përfshirë korsitë udhëzuese dhe barrierën e sigurisë dypalëshe (gjerësia totale e autostradës 22.25 m).

Autostrada do të lidhë Greqinë me Shqipërinë, e cila ka një volum të lartë trafiku, duke devijuar ngarkesat mbi-lokale nga Unaza e Janinës. Pasi të përfundojë, vlerësohet se udhëtimi nga Athina në kufirin shqiptar do të zgjasë afërsisht 4 orë e 30 minuta. /Kapitali.al/

BIRN: Pas skandalit korruptiv, PS propozon ‘privatizimin’ e tenderave të AKSHI

Me firmën e një deputeti socialist, Kuvendi i Shqipërisë pritet të marrë në shqyrtim një nismë ligjore që synon transferimin e tenderave të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, AKSHI, tek një shoqëri aksionere me pjesmarrje publike dhe private.

 

Sipas projektligjit të depozituar në Kuvend nga deputeti i PS, Erjon Malaj, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit nuk do të kryejë më prokurime dhe të lidhë kontrata për mirëmbajtjen e platformave dhe sistemeve digjitale të vendit – duke ia transferuar këto detyra një shoqërie TIK, ku shteti zotëron të paktën 51 për qind të aksioneve.

Erjon Malaj është një deputet i ri në Kuvendin e Shqipërisë dhe projektligji i depozituar prej tij në Kuvend vjen pas hetimit të bujshëm të Prokurorisë së Posaçme, që zbuloi ekzistencën e një grupi të strukturuar kriminal në krye të AKSHI, i akuzuar se kontrollonte tenderat prej dhjetra milionë euro të instraktukturës digjitale të shtetit. Mes të akuzuarve gjenden biznesmeni kontrovers, Ergys Agasi dhe drejtoresha jetëgjatë e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj.

Megjthatë, praktika e ndryshimeve të diskutueshme ligjore përmes propozimeve të deputetëve socialistë nuk është e re dhe është aplikuar disa herë gjatë legjislaturës së kaluar. Njëkohësisht, mazhoranca socialiste po shkon së fundmi drejt menaxhimit me shoqëri aksionere publike dhe private në disa sektorë të ndjeshëm, përfshi edhe atë të mbrojtjes.

Projektligji i depozituar në Kuvend kërkon shfuqizimin e disa pikave në nenet 4 dhe 29 të ligjit “Për qeverisjen elektronike”, ku parashikohen kompetencat e AKSHI në kryerjen e prokurimeve të qendërzuara dhe lidhjen kontratave për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve të teknologjisë së informacionit.

Po ashtu, AKSHI-t i hiqet detyrimi për prokurimet e klasifikuara si “sekret shtetëror” për institucionet e administratës shtetërore dhe ato në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë dhe prokurorimet e tjera sipas kërkesave të institucioneve.

Për të kryer këtë detyrë propozohet të krijohet një shoqëri aksionere, ku shteti zotëron të paktën 51 për qind të aksioneve, e krijuar ose e autorizuar nga AKSHI për zhvillimin, operimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve, platformave dhe infrastrukturave të qeverisjes elektronike.

Në përcaktimin e funksioneve, AKSHI-it i njihen vetëm ushtrimi i funksione të natyrës: standardizuese teknike, arkitekturore të sistemeve dhe të mbështetjes teknike dhe monitorimit të sistemeve të qeverisjes elektronike.

Ndërkohë, sistemet, platformat ose infrastruktura e Teknologjisë së Informacionit do të kalojnë, sipas nismës, “në administrim të shoqërive operatore TIK për qëllime zhvillimi, operimi ose mirëmbajtjeje”.

Institucionet publike përfituese do të paguajnë shoqëritë operatore TIK në bazë kontratash shërbimi për shërbimet e mirëmbajtjeve të sistemeve të tyre.

Normat shumë të larta të fitimeve neto në raport me të ardhurat janë në fakt tipar dallues i subjekteve ekonomike që kanë fituar prokurime publike nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, AKSHI, një zyrë nën varësinë e kryeministrit, e cila merret me infrastrukturën digjitale të shtetit.

Drejtoresha e këtij institucioni, Mirlinda Karçanaj, u mor e pandehur për veprën penale të shkeljes së barazisë në tenderë, kryer në formën e bashkëpunimit në kuadër të një grupi kriminal, krahas Ergys Agasit, Ermal Beqirit dhe disa personave të tjerë./ BIRN

Imazhi dhe zëri iu përdorën për t’i dhënë jetë Diellës, aktorja Anila Bisha kërkon “pezullimin” e ministres në gjykatë

Emërimi i Diellës, si e para ministre e krijuar me inteligjencë artificiale u bë sensacion në vjeshtën e vitit të kaluar. Në mediat ndërkombëtare u trajtua si risi dhe luftë ndaj korrupsionit, e në median shqiptare, për sfidat ligjore të një ministri “artificial” dhe përgjegjësitë që duhen mbajtur në emër të tij.

6 muaj pas emërimit të ministres “Diella”, një padi e aktores Anila Bisha, imazhi dhe zëri i së cilës janë përdorur për t’i dhënë jetë ministres, kërkon të pezullojë ministren më të re të qeverisë, që ironikisht nuk duket se kërkon as interpretim nga Gjykata Kushtetuese.

Në dokumentin e siguruar nga News24 e BalkanWeb thuhet se kërkohet: “Marrja e masës së sigurimit të kërkesëpadisë, duke urdhëruar palën e tretë që të mos përdorë të dhënat personale (imazh dhe zë) të kerkueses Anila Bisha, që lidhen me krijimin e avatarit të Ministres për Inteligjencën Artificiale, deri në përfundim të procesit giyqësor”.

Kontrata e aktores i hapte udhë vetëm përdorimit të imazhit për shërbimet e e-Albanias. Kur Diella e e-Albanias u bë Ministre, Bisha, jo vetëm nuk u pyet dhe as nuk iu nënshtrua një procesi të ri kontrate si imazh i Diellës së rritur në detyrë. Përkundër perceptimit të parë, të përdorimit të imazhit dhe zërit, institucionet kanë shkelur jo vetëm të drejtën e autorit por praktikisht, duke e patentuar Diellën, pothuaj i kanë hequr të drejtën aktores Anila Bisha ketë zërin dhe imazhin që ka.

Në dokumentin për sigurimin e kërkesë-padisë, në këtë fazë, Bisha vlerëson se, si rrjedhojë e veprimeve të palës sẽ tretë, asaj i është duke iu shkaktuar një dëm i madh, i menjëhershëm dhe i pakthyeshëm.

Kur një kapuç bëhet zëri i një kombi, plisi i bardhë drejt UNESCO-s

Në një botë që ecën me shpejtësi drejt uniformitetit, ku identitetet shpesh treten në emër të globalizimit, Plisi i bardhë qëndron ende aty, i thjeshtë në formë, por i thellë në kuptim. Një kapuç prej leshi të bardhë, i punuar me dorë, që për shekuj me radhë ka shoqëruar shqiptarët në gëzime, në beteja, në rite dhe në përditshmëri. Sot, ai po kërkon diçka më shumë se respektin tonë: po kërkon njohjen e botës.

Nisma e fundit përmes një peticioni online, që i bën thirrje UNESCO-s për përfshirjen e Plisit në listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit, nuk është thjesht një veprim simbolik. Ajo është një reagim i ndërgjegjshëm ndaj rrezikut që trashëgimia jonë të mbetet vetëm një relike muzeale, e shkëputur nga jeta reale dhe brezat e rinj. Plisi nuk është thjesht veshje. Ai është dëshmi e vazhdimësisë historike të shqiptarëve. I quajtur ndryshe qeleshe, kësulë apo qylaf në krahina të ndryshme, ai mbetet një shenjë e përbashkët identiteti që i ka mbijetuar pushtimeve, ndryshimeve politike dhe modave kalimtare. Në një copë leshi të bardhë është ruajtur një histori rezistence, krenarie dhe përkatësie.

Njohja nga UNESCO nuk do të ishte vetëm një medalje ndërkombëtare. Ajo do të nënkuptonte mbrojtjen e teknikës tradicionale të punimit të Plisit, mbështetjen e artizanëve që ende e prodhojnë me dorë dhe ringjalljen e interesit për trashëgiminë kulturore shqiptare. Do të ishte, gjithashtu, një mundësi reale për zhvillimin e turizmit kulturor dhe për ta treguar historinë tonë me zë të lartë, përtej kufijve.

Fakti që peticioni ka mbledhur rreth 4 mijë firma brenda pak ditësh tregon qartë se kjo nuk është një çështje nostalgjie, por një nevojë e ndjerë. Çdo firmë është një zë që thotë: kjo trashëgimi na përket dhe nuk duam ta humbasim.

Plisi i bardhë është një urë mes së shkuarës dhe së ardhmes. Ta çojmë drejt UNESCO-s do të thotë ta mbajmë gjallë këtë urë, jo vetëm për ne, por edhe për botën që ka nevojë të njohë historitë e vogla që mbajnë brenda identitete të mëdha. bw

Tensionet gjatë protestës së opozitës para Kryeministrisë dhe Parlamentit, arrestohen 21 persona

21 persona janë arrestuar nga policia në lidhje me protestën e opozitës një ditë më parë zhvilluar para Kryeministrisë dhe Parlamentit.

 

Ndërkohë gazetarja Xhensila Kodra raporton se 7 prej personave të arrestuar janë të mitur dhe pjesa më e madhe janë përsëritës, që janë ndaluar edhe më parë në protesta të ngjashme.

Sjellim në vëmendje që tubimi i 10 shkurtit herë pas herë i shoqërua edhe me tensione, pasi militantë demokratë hodhën molotovë dhe fishekzjarrë, ndërsa policia u përgjigj me gaz lotsjellës dhe ujë.

Mbrëmje e djeshme (10 shkurt) ministria e Shëndetësisë njoftoi se nga protesta janë plagosur 21 persona, 19 prej tyre efektivë të Policisë, një deputet i Partisë Demokratike, konkretisht Bledion Nallbati dhe një qytetar.

“Në Urgjencën e Spitalit Universitar të Traumës janë paraqitur 10  efektivë policie, deputeti Bledion Nallbati dhe një qytetar. Ata kanë marrë ndihmën mjekësore sipas protokolleve respektive, të pritur nga ekipi mjekësor multidisiplinar.

Pas trajtimit, 9 efektivë janë larguar nga spitali, sipas këshillave të mjekut dhe një prej efektivëve është dërguar në QSUNT në Shërbimin e Toksikologjisë, për shkak të problemeve me frymëmarrjen”, sqaron ministria.

Gjithashtu, ministria e Shëndetësisë thotë se deputeti Nallbati pasi ka marrë trajtimin e nevojshëm dhe është larguar nga spitali me këshilla mjekësore.  Ndërsa në Spitalin e Traumës po trajtohet qytetari K.K jashtë rrezikut për jetën. Panorama


Send this to a friend